VOAL

VOAL

Shqiptarja letër publike Abazoviçit: Shite kombin për miliona euro dhe iu fute thikë pas shpine shqiptarëve, me ç’krenari del në rrugë!

Shqiptarja e njohur nga Sanxhaku, Armina Nuraj, i ka shkruar një letër publike Dritan Abazoviçit, politikanit shqiptar që po synon formimin e Qeverisë malazeze me forcat politike serbe dhe proruse.

Ja letra e saj e plotë, që i rikujton shumë bëma serbe, politikanit shqiptar që është figura vendimtare e politikës në Mal të Zi:

“Dritan Abazoviç. Nuk do t’ju drejtohem me “respekt” as me “i respektuar”, por do t’ju drejtohem si “djali çetniko-malazez”.

Nuk do të drejtohem në gjuhën shqipe, sepse ti nuk ke as “A” nga shqiptarët, dhe se gjithashtu do të njollosja gjuhën time të pastër dhe më të bukur shqipe.

Ti që ke shitur kombin dhe fenë për disa miliona euro. Ti që i ke fut thikë pas shpine shumë shqiptarëve dhe boshnjakëve në Mal të Zi. Ti meriton që shqiptarët dhe boshnjakët të bashkohen dhe të përzënë nga hapësirat e Malit të Zi.

Me çfarë krenarie del rrugëve të Malit të Zi, ndërsa je shpallur si tradhëtar i kombit dhe fesë tënde?

Çka kishe në kokë kur more vendimin, me siguri nuk kishe tru, po ta kishe Dritan Abazoviçi, do ta kishe përdorur, do të kujtoje gjenocidin në Bosnjë, gjenocidin në Republikën e Kosovës. Do të kujtoje Dritan Abazoviçi edhe mijëra gratë e dhunuara në hapësirat e Bosnjës dhe Republikës së Kosovës, do të kujtoje se sa shqiptarë janë vrarë nga policia malazeze gjatë kohës së luftës së Kosovës.

Po ç ‘ të presësh nga ti kur the se heroi më i madh shqiptar Skënderbeu është serb?”, ka shkruar Armina Nuraj, studentja nga Novi Pazari, e cila pranoi origjinën e saj shqiptare dhe theksoi se kjo trevë është dominuese nga shqiptarët që janë asimiluar. (INA)

Dritan Abazoviçi kërkon falje publike: Kam gabuar shumë që kam thënë së prindërit e Skënderbeut ishin serbë

Shqiptar më i famshëm në Mal të Zi, Dritan Abazoviçi, në një televizion ka kërkuar falje publike për deklaratën rreth Skënderbeut, për të cilin kishte thënë se nëna dhe babai i Skënderbeut ishin serbë.

“Unë kam gabuar që kam thënë së prindërit e Skënderbeut janë serbë, ishte një lapsus dhe kërkoi falje publike dhe jam krenar që jam shqiptar”, thotë Abazoviç gjatë një interviste.

Abazoviç thotë se nuk kishte thënë se familja e Skëndërbeut ishte serbe dhe se do ta dëshironte një bust të tijin në Ulqin, edhe pse më mirë do të ishte vendosja e përmendoreve të tjera.

Nëpër portale të ndryshme po qarkullon një videointervistë e vitit të kaluar ku Abazoviçi ka folur për figurën e Skënderbeut. Kryesisht kjo intervistë ka dalë ne kontekst negativ, pasi thuhet se ai ka deklaruar se prindërit e Skënderbut janë serbë dhe se ai është kundër vendosjes së përmendores.

Serbisë i dorëzohet dron për kërkim të varrezave masive

Në të ardhmen, Serbia do të kërkojë të zhdukurit e konflikteve në ish-Jugosllavi, të cilët dyshohet se janë të varrosur në varreza masive, përmes një droni, të cilën e ka financuar Britania e Madhe.

Donacioni i kësaj pajisjeje për hulumtim të terrenit i është dorëzuar Beogradit më 31 gusht, me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve.

Beogradi ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Prishtina që të hulumtojë disa terrene, në të cilat dyshohet se ka serbë të vrarë.

“Fillimisht do të hulumtohen tri lokacione të propozuara nga Prishtina, ku pretendohet se ka shqiptarë të vrarë. Një lokacion është në afërsi të Rudnicës, tjetri është Kozarevë që gjendet në mes të Rashkës dhe Novi Pazarit kurse lokacioni i tretë është në afërsi të Sjenicës. Këto informacione i kemi marrë nga Prishtina dhe jemi pajtuar që t’i verifikojmë”, ka thënë Velko Odalloviq, kryetari i Komisionit të Qeverisë serbe për të Pagjeturit.

Odalloviq ka theksuar se Beogradi ka informacione për disa lokacione në Kosovë ku ka serbë të vrarë, duke thënë se bëhet fjalë për Kosharen, Liqenin e Livoçit dhe rajonin e Llapushnikut.

Ai ka thënë se Komisionet për të Pagjeturit, të Kosovës dhe Serbisë, do të takohen në Prishtinë më 16 shtator.

“Aty do të merremi vesh për dinamikën e punës. Ne do të bëjmë planin e aktiviteteve tona për tri lokacione të cilat i përmenda. Nëse Prishtina ka ndonjë kërkesë tjetër do të shohim se a mund t’i përgjigjemi në këtë periudhë të shkurtër para dimrit”, ka thënë mes tjerash ai.

Përfaqësuesit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ambasadës britanike dhe qeverisë serbe kanë thënë se në vend të gropimit të komplikuar me makineri ndërtimore, hulumtimi i lokacioneve të dyshimta do të bëhet me këtë pajisje elektronike, e cila heton ndryshimet e tokës deri në 10 metra thellësi.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë nga vitet 1998-‘99. rel

Lajçak: Afate kohore nuk kemi, por kemi “vija të kuqe”

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se dialogu midis dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve është aktualisht çështja më e rëndësishme në Ballkan dhe paralajmëroi se do të ketë intensifikim të raporteve midis dy palëve.

“Të dyja palët e kuptojnë se dialogu dhe normalizimi nuk mund të shmangen. Evropa është në krye të këtij procesi qysh në vitin 2011, sepse edhe Serbia, edhe Kosova kanë të ardhme evropiane. Për ne, kjo është çështje e fqinjëve tanë dhe e anëtarëve të ardhshëm, e jo ndonjë aktivitet i marrëdhënieve publike”, tha Lajçak në Forumin e 15-të Strategjik të Bledit në Slloveni.

Lajçak tha se nuk ka afate në negociata, sepse, siç u shpreh, “nëse vendosni afate, ju do të keni diçka që mund të ndikojë në proces”, por kjo është arsyeja që ka “vija të kuqe”, që BE-ja nuk dëshiron t’i kalojë, tha ai.

“Kemi vija të kuqe. Nuk është e drejtë të thuhet se për çfarëdo që të merren vesh dy palët, për ne është në rregull. Sepse, mandati im thotë se këndi që duhet të arrijë në proces, është që normalizimi i marrëdhënieve të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, të jetë i pranueshëm për anëtarët e BE-së dhe ta qetësojë situatën në rajon”, tha Lajçak.

Ai shtoi se Evropa do ta pranojë ndihmën e ndonjë pale të tretë, përfshirë SHBA-në, nëse ofron zgjidhje konkrete.

Lajçak: Nuk jemi këshilluar për përmbajtjen e takimit në Shtëpinë e Bardhë

Lajçak tha se kolegët nga SHBA-ja vetëm e kanë informuar për takimin e ardhshëm midis përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, që duhet të mbahet më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk jemi këshilluar për datën ose përmbajtjen e takimit, por vetëm jemi informuar se takimi do të mbahet dhe se do të jetë i një natyre strikte ekonomike. Nuk do të jetë pjesë e procesit, por vetëm një takim dhe nuk kam asnjë arsye të dyshoj për këtë”, tha Lajçak.

Takimi i fundit i ekspertëve të dy delegacioneve u mbajt më 27 gusht në Bruksel.

Ai përfundoi me vlerësimin e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë se procesi ka shënuar hapa prapa dhe me akuza të ndërsjella.

Sipas informacioneve jozyrtare nga delegacionet, ekspertët nga Prishtina dhe Beogradi do të takohen sërish në Bruksel, më 6 shtator, ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen përsëri në kryeqytetin evropian të hënën, më 7 shtator.

Lajçak foli të hënën edhe për rolin e Bashkimit Evropian dhe të komunitetit ndërkombëtar në normalizimin e marrëdhënieve në Ballkan.

“Politikanët e përgjegjshëm e kuptojnë se procesi i mëtejshëm i anëtarësimit në BE është i rëndësishëm, ndërsa populistët ‘luajnë’ me emocionet e njerëzve kundër anëtarësimit – gjë që është kundërproduktive, sepse Evropa dëshiron që të gjitha vendet evropiane t’i ndajnë të njëjtat vlera, sistemin ligjor dhe infrastrukturën, sepse kjo mund t’i bëjë ato më të forta”, tha Lajçak.

Në Forumin e Bledit diskutohet për sigurinë evropiane dhe Ballkanin Perëndimor

Në panelin me temën “Evropa pas Brexit-it dhe COVID-19”, që filloi të hënën, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka thënë se “pa zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe pranimin e Serbisë si anëtare e plotë e bllokut evropian, nuk mund të përfundojë procesi i ndërtimit e sigurisë në Evropë.

Orban vlerësoi se “Evropa është në telashe” sepse ajo duhet të rivendosë stabilitetin ekonomik për shkak të pandemisë me koronavirus.

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov (majtas), kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Forumin e Bledit.

Kryeministri bullgar, Boyko Borissov (majtas), kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Forumin e Bledit.

Ai i bëri këto komente si pjesëmarrës i një paneli të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore në kuadër të Forumit të Bledit.

“Evropa duhet të kuptojë se nuk është më një ‘lojtare kryesore’ në botë sepse tani janë Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Në ekonomitë moderne, qendra e përparimit shkencor i takon kryesisht sektorit ushtarak. Dhe meqenëse Evropa nuk ka një ushtri, ajo nuk ka një qendër shkencore për përparimin teknologjik”, tha Orban.

Ideja e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u përmend gjithashtu në fjalimin e kryeministrit të Çekisë, Andrej Babish, i cili tha se një plan konkret për zhvillimin e sigurisë në Evropë është në zgjerimin e territoreve.

“Ne duhet që menjëherë të përfshijmë Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë dhe Serbinë në zonën Shengen. Ne i premtuam mikut tonë Zoran Zaev (kryeministër i Maqedonisë së Veriut) se do të fillojmë negociatat e anëtarësimit. Ai dhe Boyko Borisov (kryeministri i Bullgarisë) mbrojnë kufijtë tanë shumë më mirë se disa kolegë të tjerë të Shengenit”, tha ai.

Vuçiq: Gjithmonë është mirë t’i përkasësh klubit të BE-së

Në panel, foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. I pyetur nëse në Serbi ekziston një lloj i “evropianizmit të rremë”, ai tha se Serbia është në rrugën evropiane, porse ajo është e vetëdijshme se nuk është tema kryesore në Bashkimin Evropian, dhe se opinioni publik në Serbi nuk është “shumë entuziast” kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE.

“Serbia nuk është shumë entuziaste për këtë çështje. Rreth 40 për qind e njerëzve janë kundër politikës sonë për t’u anëtarësuar në BE, kryesisht sepse ata e shohin Bashkimin Evropian si një organizatë që ushtron presion mbi njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo është e vërtetë, por nuk ka rëndësi. Udhëheqja politike ne jemi në rrugën tonë për në Bashkimin Evropian dhe po përballemi me probleme të shumta”, tha Vuçiq.

Duke folur për anëtarësimin në BE, Vuçiq tha se është gjithmonë më mirë t’i përkasësh atij klubi sesa të mos jesh anëtar.

“Kur flasim për Bashkimin Evropian, po, ne do të donim të bashkoheshim me atë klub. Ne kemi mbështetje të madhe në BE, kurrë nuk kemi nënvlerësuar mbështetjen që kemi marrë deri më tani. Por, në të njëjtën kohë, ne kemi idetë tona, ne shohim se çfarë po ndodh brenda Bashkimit Evropian dhe çfarë po ndodh ndërmjet SHBA.-së dhe BE-së “, tha Vuçiq.

Forumi i Bledit mbahet tash e 15 vite dhe është një projekt i Qeverisë së Republikës së Sllovenisë, që organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Sllovenisë dhe organizata qeveritare Qendra për Perspektivën Evropiane.

Mali i Zi në pritje të numërimeve deri në votën e fundit

Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32,54 për qind të votave.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë”, 5.57, Socialdemokratët 4.09, Partia e Boshnjakëve 3.81, Partia Social-Demokrate 3.14, Lista Shqiptare 1.61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1.16.

Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun.

Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor i këtij vendi, Millo Gjukanoviq, përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje.

Shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Rreth katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, Gjukanoviq iu drejtua mbështetësve në Podgoricë, duke thënë se partia e tij do t’i pranojë rezultatet zgjedhore, porse do të presë rezultatin përfundimtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Millo Gjukanoviq pas shpalljes së rezultateve preliminare

Millo Gjukanoviq pas shpalljes së rezultateve preliminare

Dallimi midis dy forcave që kanë marrë vendet e para në zgjedhje është aq i vogël, saqë një votë në përbërjen e ardhshme parlamentare mund të sjellë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.

“Do të presim të shohim se kush do ta ketë atë votën e 41-të”, tha Gjukanoviq, për të shtuar se partia e tij do të mbetet luftëtare e palëkundur për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Tri koalicionet opozitare në Mal të Zi: “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, i udhëhequr nga partia Fronti Demokratik, “Paqja është kombi ynë”, i udhëhequr nga Demokratët e Alleksa Beçiqit, dhe “E bardha në të zezë”, i udhëhequr nga Dritan Abazoviq, kanë fituar së bashku 41 mandate të deputetëve në Parlamentin e Malit të Zi, nga gjithsej 81.

Të gjitha partitë dhe koalicionet e tjera që kanë marrë pjesë në zgjedhje kanë fituar gjithsej 40 vende.

Në mesin e tyre janë: subjekti i deritashëm në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit, partitë e pakicave shqiptare dhe boshnjake, Social-Demokratët dhe Partia Social-Demokrate.

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve dhe numri përfundimtar i ulëseve parlamentare mbeten të pasigurt ende, sepse, sipas drejtorit të CEMI-t (Qendra për Monitorim), Zllatko Vujoviq, nuk janë numëruar të gjitha votët dhe ndryshimet e caktuara janë të mundshme.

Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.

Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.

Njëkohësisht janë mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.

Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 kanë qenë të huaj.

Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.

Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.

Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.

“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.

Garuesit

Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, ka garuar në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.

DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.

Nga partitë e pushtetit aktual, në garë ishin edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.

Opozita, ndërkaq, ka garuar me tri koalicione dhe një parti.

Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, ka garuar brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.

Lart në listë zgjedhore ishte edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.

Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.

Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.

Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila ka garuar në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.

Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.

Fushata

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.

Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.

Podgoricë

Podgoricë

Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.

Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.

Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.

Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.

Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore – përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë – kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.

Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtyllë e fushatës.

Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.

Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.

Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.

Zgjedhjet paraprake

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë – mbi 73 për qind – të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.

Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.

Video: Arrestimet në Mal të Zi, 16 tetor, 2016.

Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.

Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.

Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.

Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.

Përgatiti: Valona Tela

Mali i Zi voton nën tensione politike, 35.4% dalja deri në orën 11:00

Me hapjen e qendrave të votimit në orën 7 të mëngjesit, në Mal të Zi ka nisur gara zgjedhore për 81 ulëse në Parlamentin e shtetit.

Qendra e Monitorimit (CEMI) njoftoi se gjithsej 35.4% e votuesve votuan deri në orën 11:00. Në rajonin e Podgoricës kanë votuar 35.8%, në rajonin verior të Malit të Zi 31.7%, dhe në jug 37.1%.

Sipas tyre, pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet parlamentare më 2016, kur, siç thanë ata, deri në orën 11, dalja ishte 20.7 % dhe në zgjedhjet e vitit 2012 pjesëmarrja ishte 18.2%.

Qendra për Monitorim u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë distancën e caktuar ndërsa presin në radhë për votim.

CEMI gjithashtu deklaroi se regjistroi një numër të madh të shkeljeve që kanë të bëjnë me fshehtësi të fletëve të votimit.

“Votuesit e thanë listën që ata votuan me zë të lartë, fletët e votimit u fotografuan, fletët e votimit nuk u palosën në kabinën e votimit, por përpara bordit të votimit,” tha koordinatorja Maja Bjelic.

Zgjedhjet parlamentare janë duke u mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.

Për 81 ulëset parlamentare garojnë gjashtë koalicione dhe pesë parti.

Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.

Njëkohësisht janë duke u mbajtur edhe zgjedhjet lokale në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.

Të drejtë vote kanë 540,026 qytetarë, të cilët mund të votojnë në 1,217 vendvotime.

Zgjedhjet vëzhgohen nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 janë të huaj.

Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor.

Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.

Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.

“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.

Garuesit

Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, garon në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.

DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.

Nga partitë e pushtetit aktual, në garë janë edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.

Opozita, ndërkaq, është duke garuar me tri koalicione dhe një parti.

Fronti Demokratik, partia më e madhe opozitare, njëherësh pro-serbe dhe pro-ruse, garon brenda koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, që udhëhiqet nga profesori Zdravko Krivokapiq – një figurë jopartiake.

Lart në listë zgjedhore është edhe Marko Millaçiq, i cili vitet e kaluara ka udhëhequr një fushatë kundër NATO-s, duke djegur publikisht flamuj të aleancës ushtarake.

Koalicionin “Paqja është kombi ynë”, me në krye Alleksa Beçiqin, e përbëjnë Mali i Zi Demokratik dhe Demos.

Lista “E zeza në të bardhë” drejtohet nga lëvizja qytetare Ura e Dritan Abazoviqit – i cili është shqiptar – me mbështetjen e një numri të konsiderueshëm intelektualësh të profesioneve, kombeve dhe ideologjive të ndryshme.

Partia Social-Demokratike e opozitës, e cila garon në mënyrë të pavarur, ka qenë në pushtet me DPS-në deri pesë vjet më parë.

Ajo e ka lënë pushtetin për shkak të, siç ka thënë, korrupsionit të kudogjendur në strukturat shtetërore.

Fushata

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, fushata parazgjedhore është zhvilluar kryesisht në mediat online dhe në rrjetet sociale.

Në përputhje me urdhrat e Trupit Kombëtar të Koordinimit, në tubimet partiake kanë mundur të mblidhen deri në 100 persona jashtë dhe 50 brenda.

Podgoricë

Podgoricë

Temë mbizotëruese e fushatës ka qenë Ligji për Lirinë e Fesë, për të cilin shteti dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë mosmarrëveshje të ashpra.

Ligji, i cili është miratuar në Kuvendin e Malit të Zi më 27 dhjetor, 2019, dhe me incidente të deputetëve të Frontit Demokratik, për Kishën Ortodokse Serbe paraqet përpjekje për të rrëmbyer pronën e saj.

Ligji përcakton që e gjithë prona e Kishës, e krijuar para vitit 1918 në Mal të Zi, për të cilën Kisha Ortodokse Serbe nuk ka prova të origjinës, t’i transferohet shtetit.

Përveç organizimit të protestave për muaj të tërë në të gjithë Malin e Zi, Kisha Ortodokse Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në votime dhe të votojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila ka miratuar ligjin.

Në liturgjitë e kishave, të mbajtura gjatë fushatës zgjedhore – përkundër ndalesës së tubimeve për shkak të pandemisë – kanë dominuar simbolet kombëtare serbe dhe mesazhe politike kundër Gjukanoviqit dhe Qeverisë aktuale.

Për një pjesë të opozitës, kryesisht Frontin Demokratik, mbështetja e Kishës Ortodokse Serbe ka qenë shtyllë e fushatës.

Qeveria e ka përqendruar fushatën e saj te Kisha Ortodokse Serbe dhe opozita, që e mbështet atë, duke thënë se ato bëjnë përpjekje për ta përmbysur shtetësinë e Malit të Zi nga pozicioni serbomadh.

Pjesa tjetër e opozitës është marrë kryesisht me temat e krimit, korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Përfaqësuesit e popujve pakicë, ndërkaq, janë përqendruar në temat e mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe tek e drejta për përfaqësim më të madh të pakicave në institucionet qeveritare dhe administratën publike.

Pa i specifikuar kërcënimet, shefat e policisë kanë thënë se institucionet nuk do të lejojnë që shteti të destabilizohet gjatë zgjedhjeve dhe se ato do ta mbrojnë paqen dhe sigurinë e qytetarëve.

Zgjedhjet paraprake

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi janë mbajtur më 16 tetor, 2016, me një pjesëmarrje të lartë – mbi 73 për qind – të votuesve të regjistruar. Partia Demokratike e Socialistëve e Millo Gjukanoviqit i ka fituar shumicën e ulëseve.

Këto zgjedhje i ka karakterizuar afera “Grushtshteti”, pasi në ditën e votimeve janë arrestuar disa shtetas të Serbisë, nën dyshimet se kanë përgatitur përmbysjen me dhunë të Qeverisë malazeze dhe, sipas Prokurorisë Speciale të Shtetit, edhe likuidimin e kryeministrit të atëhershëm malazez, Millo Gjukanoviq.

Video: Arrestimet në Mal të Zi, 16 tetor, 2016.

Gjatë gjykimit dyvjeçar, në shkallën e parë janë dënuar dy shtetas rusë, të cilët janë gjykuar në mungesë, dy udhëheqës të Frontit Demokratik dhe një grup i shtetasve serbë.

Askush prej tyre nuk e ka pranuar fajësinë.

Rasti ndodhet në Gjykatën e Apelit, ku duhet të merret vendimi përfundimtar.

Udhëheqësit e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, që kanë dënim të shkallës së parë me nga pesë vjet burgim, gjenden në listën zgjedhore “Për ardhmërinë e Malit të Zi”.

Përgatiti: Valona Tela

Vuçiçi: Pres befasi nga takimi në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se Serbia ka pranuar agjendën zyrtare për negociatat me Kosovën në Uashington, më 4 shtator, dhe se në të është vetëm një “pikë që është e papranueshme”.

Presidenti i Serbisë nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë, por vlerësoi se pret befasi dhe negociata të vështira.

“Tema e vetme e bashkësisë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht nga agjendat, është njohja e Kosovës. Thelbi është që (Avdullah) Hoti dhe zyrtarë shqiptarë thonë se po shkojnë në Shtetet e Bashkuara për njohje. Kishte edhe deklarata jozyrtare nga udhëheqësit në rajon që do të nënshkruaj çkado që ofrohet në Uashington. Këtë e dëgjova me kujdes. Unë pres një befasi, nuk hezitoj ta them këtë, dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq për televizionin serb “Pink” të shtunën në mëngjes.

“Nuk ka rëndësi se nën çfarë lloj shantazhi jemi, ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shtetit. Deri tani, ne nuk kemi analizuar atë që Serbia ka sot në Kosovë dhe çfarë është reale që mund të marrim”, tha presidenti serb para bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të premten e ardhshme.

I pyetur nëse ai pret që presidenti i SHBA-së Donald Trump do t’ju bashkohet bisedimeve, Vuçiq tha se nuk e pret këtë nëse “përmbajtja e kërkesës së SHBA-së për Serbinë në lidhje me Kosovën është si supozohet”.

Vuçiq, tha se nëse ai do të pranonte takimin me presidentin Trump, ai do të ishte presidenti i parë serb që mund të ketë jo vetëm takimin e parë me Avdullah Hotin dhe Trump, por edhe një takim bilateral me presidentin amerikan.

“Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj befasie, sepse e ndiej atë, dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që do ta refuzoj këtë dhe se ky takim nuk do të zhvillohet,” tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se Serbia “duhet të paguajë çmimin e politikave të pasuksesshme nga vitet 1990”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me ftesën që u ka bërë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Ky takim fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator. Por ai është shtyrë për dy ditë më vonë.

Po ashtu,më 7 shtator, në Bruksel pritet të takohen delegacionet e të dyja vendeve, të përfaqësuara në nivelin më të lartë politik, nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

Kryeministri Hoti deklaroi këtë javë se Kosova e zhvillon dialogun për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. rel

Zëri i Amerikës: Greqia do të shtyjë kufirin detar në Detin Jon

Greqia ka në plan ta shtyjë kufirin perëndimor të ujërave territorialë në Detin Jon deri në 12 milje detare, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis të mërkurën.

Kryeministri konservator grek tha se një projektligj për këtë çështje do t’i paraqitet shumë shpejt parlamentit.

“Greqia do t’i shtrijë ujërat e saj territoriale perëndimore nga 6 në 12 milje detare,” u tha zoti Mitsotakis ligjvënësve gjatë një debati, që lidhej me çështjen nëse parlamenti do të ratifikojë një marrëveshje të kohëve të fundit për kufijtë detarë midis Greqisë dhe Italisë.

Zoti Mitsotakis tha gjjthashtu se ministri i jashtëm grek Nikos Dendias kishte biseduar për këtë vendim me homologun e tij italian dhe atë shqiptar.

Ai tha se ministri Dendias do të shkojë në Tiranë për bisedime me homologun e tij shqiptar për demarkacionin e kufijve detarë midis dy vendeve fqinje, një projekt për të cilin është debatuar gjatë viteve të fundit.

Nga ana tjetër, Greqia dhe Italia nënshkruan në qershor një marrëveshje për kufijtë detarë, duke krijuar një zonë ekskluzive ekonomike dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra për të drejtat e peshkimit në Detin Jon.

Në parlamentin grek është gjithashtu në proces një marrëveshje detare me Egjiptin dhe ligjvënësit pritet të votojnë për të dyja marrëveshjet të enjten.

Në anën lindore të Greqisë, Turqia ka paralajmëruar se një veprim i ngjashëm nga Athina do të ishte një shkak për luftë.

Dy vendet janë në mosmarrëveshje lidhur me zgjatjen e shelfit kontinental dhe kufijve të tyre detarë.

Turqia bën “zbulimin më të madh” të gazit natyror në Detin e Zi

Turqia ka zbuluar rreth 320 miliardë metra kub të gazit natyror në gjirin e Detit të Zi, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan më 21 gusht, duke e konsideruar këtë gjë “si lajm të mirë të një rëndësie historike” për shtetin që varet pothuajse krejtësisht nga energjia e importuar.

“Turqia ka bërë zbulimin më të madh në histori të gazit natyror në Detin e Zi”, ka thënë Erdogan në një fjalim televiziv nga Stambolli.

Megjithatë, analistë të industrisë kanë thënë se ndonëse sasia është e madhe, ajo nuk do ta kthejë Turqinë në zonë rajonale të energjisë, dhe nuk do të ndikojë në pasurinë e shtetit.

Anija e shpimit Fatih ka gjetur depozitën në zonën e gazit, Sakarya në qytezën verilindore, Zonguldak, ka thënë Erdogan, duke shtuar se Ankaraja planifikon të dërgojë gazin për tregun e brendshëm nga viti 2023.

Fatih, apo Pushtuesi, është anija e parë e shpimit e Turqisë, e cila mban emrin sipas Sulltan Mehmetit II, i cili ka sjellur Konstadinopojën – Stambollin e ditëve të sotme – nën regjimin otoman më 1453.

Turqia ka qenë në kërkim të hidrokarbureve në Detin e Zi dhe Detin Mesdhe – ku së fundmi me veprimet e saj në ujërat e kontestuar ka nxitur reagime të Greqisë dhe Qipros.

Megjithatë, presidenti turk ka thënë se vendi që drejton ai do të shpejtojë operacionet në Mesdhe.

Importet e energjisë së Turqisë më 2019 kanë prekur shifrën e 41 miliardë dollarëve, sipas të dhënave qeveritare.

Ky shtet ka importuar më shumë se 45 miliardë metra kub të gazit natyror vitin e kaluar – kryesisht nga Rusia.

Analistët paralajmërojnë se mund të marrë vjet dhe miliarda dollarë investime para se Ankaraja të nisë prodhimin e gazit. rel

Vazhdon rritja e tensioneve Greqi-Turqi, luftanija amerikane në Kretë

Anthee Carassava

Anija e madhe luftarake amerikane, “USS Hershel Woody Williams”, ka mbërritur në ishullin grek të Kretës ndërsa tensionet përshkallëzohen mes aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjetike në Mesdheun lindor.

Prania e luftanijes amerikane pason përplasjen e një anijeje ushtarake turke e cila mbronte një anije eksplorimi që Ankaraja e dërgoi në rajon për të bërë kërkime për naftë dhe gaz, me një luftanije greke, duke shkallëzuar krizën detare mes dy vendeve.

Arritja e luftanijes amerikane gjithashtu pason dislokimin e forcave ushtarake të Francsë në rajon, duke i ofruar ndihmë ushtarake Greqisë gjatë krizës, një angazhim aktiv që Flota e 6-të e Marinës amerikane thotë se është duke e shmangur për momentin.

“Ne nuk po marrim pjesë në këtë përballje dhe “USS Hershel Woody Williams” nuk është dërguar për të ndërhyrë”, i tha Zërit të Amerikës Kyle Raines, atashe për shtypin i Flotës së Gjashtë të Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se dërgimi i luftanijes në Gjirin e Sudas në Kretë ishte “i planifikuar”. Megjithatë, nëse situata mes dy aleatëve të NATO-së përkeqësohet dhe zyrtarët në Uashington vendosin të veprojnë, anija mund të ndërhyjë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“USS Hershel Woody Williams është shumë elastike dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake në mbështetje të detyrave kombëtare,” tha zëdhënësi Raines.

Ekspertët e përshkruajnë luftanijen “USS Hershel Woody Williams” si një bazë ushtarake lundruese, e dyta e një brezi të ri anijesh të mëdha që Marina amerikane tani po i përdor si qendra transporti dhe mbështetjeje të shpejtë për operacionet ushtarake.

USS Hershel Woody Williams,

USS Hershel Woody Williams,

Anija me gjatësi 230 metra, ishte më herët në Napoli, për një ndalesë logjistike rutinë para se të lundronte drejt Kretës.

Që nga incidenti detar i 12 gushtit, Presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka kërcënuar të përdorë forcën kundër çdo përpjekjeje greke për të bllokuar anijen eksploruese turke, “Oruc Reis” dhe pesë luftanijet e tjera që e shoqërojnë atë.

“Nëse kjo vazhdon,” paralajmëroi ai ditët e fundit, “ne do të hakmerremi. Ne nuk do të braktisim asnjë anëtar të farefisit tonë, gjallë a vdekur.”

Qeveria Greke e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka bërë përpjekje javët e fundit për të bindur partnerët e saj të Bashkimit Evropian që të ndërmarrë sanksione ndaj Turqisë. Ajo gjithashtu i është ankuar NATO-s për mbajtjen e distancës së barabartë ndaj antagonistëve rajonalë.

Rritja e numrit të luftanijeve në Mesdheun lindor, përfshirë edhe ardhjen e një luftanijeje ruse, ka shqetësuar ekspertët në Greqi.

Disa anije luftarake greke dhe turke janë dislokuar në rajon që kur Presidenti Recep Tajip Erdogan urdhëroi dërgimin e një anijeje kërkimore në Mesdheun lindor për të studiuar burimet e gazit dhe naftës.

Greqia thotë se shtrati i detit në brigjet e Kretës dhe ishujt e tjerë të rajonit janë territor i saj dhe se Athina ka të drejtë ta shfrytëzojë atë, një pretendim që Turqia e ka hedhur poshtë vazhdimisht, duke thënë se ishujt nuk kanë të drejtë të përdorin atë që njihet si një zonë ekskluzive ekonomike.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë dhënë hollësi se për sa kohë luftanija “Hershel Woody Williams” do të qëndrojë në Kretë.

Ministri i Jashtëm i Qipros Nikos Christodoulidis tha se forcat nga vendet e Bashkimit Evropian dhe vende të tjera në rajon ka të ngjarë të arrijnë dhe të bashkohen në këtë përpjekje.

Ai tha se zyrtarët grekë po përpiqen për këtë dhe e presin këtë grumbullim forcash, ndërsa Athina përpiqet të gjejë një zgjidhje diplomatike. Zoti Christodoulidis përshëndeti rritjen e pranisë ushtarake duke e quajtur atë një provë të vendosmërisë së Perëndimit për të bllokuar atë që ai e quajti ndikim në rritje të Turqisë në rajon.

Analisti Kostas Ifandis, profesor i studimeve ushtarake dhe marrëdhënieve diplomatike, dyshon se demonstrimi i forcës do t’i ndryshojë gjërat.

Ai thotë se nëse situata tensionohet më tej, ne mund të shohim mobilizimin e vendeve të tjera si Egjipti. Por, nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian, thotë ai, nuk ka të ngjarë që kjo rritje e pranisë ushtarake të ketë ndikim mbi Turqinë sepse partneri i saj më i madh tregtar dhe aleati më i ngushtë, Gjermania, nuk ka gjasa t’i bashkohet një manovrimi të tillë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës kryeson presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian, është përpjekur të bindë Athinën dhe Ankaranë që të hyjnë në negociata mbi pretendimet që secila palë ka për të drejtat ajrore dhe detare në rajon.

Gjermania nuk është treguar e gatshme për vendosjen e sanksioneve të ashpra kundër Turqisë, por ka këshilluar qeverinë e Ankarasë që të tërheqë anijen e saj kërkimore nga ujërat e debatueshme.

Turqia ka thënë se do të vazhdojë studimin e rajonit të kontestuar deri në javën e ardhshme.

Por grumbullimi i anijeve, nëndetëseve dhe madje edhe avionëve luftarakë në rajon, ka shtuar frikën e ekspertëve për mundësinë e një aksidenti që do të shkaktonte një konfrontim më të madh midis Greqisë dhe Turqisë.

Vuçiçi i reagon Haradinajt: Nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të enjten se në Uashington mund të ketë bisedime mes Kosovës dhe Serbisë vetëm për temat e përcaktuara më herët dhe se nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare atje.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, përgjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, se Kosova duhet të shkojë në Uashington më 2 shtator për një marrëveshje përfundimtare dhe për njohje reciproke në kufijtë ekzistues, Vuçiq ka thënë se Haradinaj mund ta kthejë avionin e tij menjëherë dhe të mos shpenzojë kerozinë nëse shkon në Uashington për një marrëveshje përfundimtare, sepse ai nuk do të jetë aty.

“Ne po shkojmë në Uashington për të diskutuar tema të përcaktuara. Mund të flasim për çdo temë, por ata të marrin të gjitha e ne asgjë, dhe t’i njohim, atë film nuk do ta shohin”, ka thënë Vuçiq për televizionin Pink të Serbisë.

Vuçiq ka thënë mes tjerash se “gjithçka është e mundur”, por derisa ai është i vetëdijshëm – diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Megjithatë ai ka pranuar se bisedimet e ardhshme nuk do të jenë të lehta.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, më 14 gusht njoftoi se më 2 shtator, Kosova dhe Serbia do të takohen në Uashington. Kësaj ftese i janë përgjigjur pozitivisht kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Administrata amerikane ka konfirmuar për REL se në këtë takim do të bisedohet për çështjet ekonomike.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik të këtij viti.

Ky proces ishte pezulluar nga nëntori i vitit 2018, meqë autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në importet e Serbisë.

Kjo masë ka qenë e papranueshme për autoritetet serbe, derisa heqjen e saj më vonë e ka mirëpritur edhe faktori ndërkombëtar, me qëllim të rikthimit të dialogut.

Drashkoviç: E vërteta për Kosovën është ndryshe nga çfarë servirin Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe

Në një intervistë për media në Beograd, Vuk Drashkoviç, lider i partisë SPO, ka folur për situatën e përgjithshme të krijimit dhe më pas shkatërrimit të Jugosllavisë, për luftërat në ish-Jugosllavi dhe për Kosovën, pikërisht për qëndrimet e tij rreth rolit të Kishës Ortodokse dhe të Kosovës. të gjitha këto i sjellim nga artikulli i “Kurir”.

“Personalisht mendoj se statusi përfundimtar për Kosovën është zgjidhur para 14 viteve, bazuar në Rezolutën 1244 dhe asokohe kemi marrë një dokument të shkëlqyer si bazë të marrëveshjes së ardhshme mes Kosovës edhe Serbisë”, ka thënë Drashkoviç.

Ai potencoi se “jo marrëveshje mes Beogradit e Prishtinës sepse nuk po flasim prefektët e dy qyteteve dhe ky është një iluzion. Popullit i servohet mashtrimi se këto bisedime që udhëhiqen janë bisedime mes Serbisë dhe krahinës së saj. E assesi mes shtetit të Serbisë dhe shtetit të Kosovës, që shteti nuk e njeh, por i duhet të arrijë marrëveshje”, tha ai.

Drashkovç nënvizoi se “dokumenti i Ahtisaarit ka sjellë tek ajo që shqiptarët e Kosovës së pari hoqën dorë nga flamuri, shteti edhe himni”.

“Ky ishte presion i fuqishëm i Amerikës. Kanë heqë dorë nga synimet që të bashkohen me Shqipërinë. Kanë pranuar që në të gjithë territorin e Kosovës gjuha dhe shkrimi cirilik të jetë e barabartë me gjuhën shqipe dhe shkrimin. Pranuan që pasuria e kishave edhe manastireve të jetë pronë e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd. Që ato të ruhen e mbrohen nga njësitet speciale ku komandantët të jenë serbë. Që 40 kisha e manastire të formohen si zona të mbrojtura, ku shqiptarët nuk guxojnë të vendosen dhe të lejohen aty. U formua zinxhiri i komunave të reja me shumicë jo shqiptare, serbëve iu garantuan 10 vende deputeti dhe dy ministri. Shumë më tepër mund të arrihet me bisedime dhe në momentin kur Kosova e Serbia hynë në BE, nuk do ketë asnjë kufi”, tha ai.

Sipas Drashkoviç: “Kosova është nj mit i shpikur, i mrekullueshëm për literaturë, por i shpikur se nuk ka asnjë betim apo darkë të princave, çdo gjë është e shpikur… kjo në të vërtetë është mbetja e darkës sekrete ku Lazari luan rolin e Jezusit, ndërsa 9 jugoviçët janë apostuj e Vuk Brankoviç është Krishti. Mirëpo pastaj njerëzit e mençur edhe kisha e pranojnë si realitet dhe popullit përmes violinave i predikohet edhe në libra…. i predikohet se i gjithë populli serb është popull i Jezu Krishtit dhe duhet të ndjekë viktimën e vet. Sipas kësaj roli i Kishës Ortodokse Serbe është katastrofë për kombin tonë”, tha Drashkoviç.

Ambasadori gjerman në Athinë: Të dashur urryes, çfarë ju mërzit?! Fakti që unë simpatizoj Ali Pashën? (fotot)

Ambasadori gjerman në Greqi, Ernst Reichel, i ka habitur të gjithë me disa postime në ‘Twitter’ dedikuar Ali Pashë Tepelenës.

Postimet e ambasadorit, që lidheshin me situatën e krijuar në Greqi, kanë shkaktuar reagime të forta nga grekët. Në postimet e tij, mes të tjerash ambasadori pyet “Të dashur urryes, çfarë ju mërzit: fakti se unë simpatizoj Ali Pashën për rebelimin e tij ndaj Osmanëve?”

Dy postimet e ambasadorit:

Ali Pasha, Pashai i Osmanëve i thërritur si Luani i Janinës, kërkoi të krijonte një shtet të pavarur në Epir. Ai dështoi dhe u vra. Trupi i tij pa kokë është varrosur këtu. Një histori tjetër thotë se ai mbyti 18 vasha, sepse refuzuan t’i bashkohen haremit tij.

Të dashur urryes, çfarë ju mërzit: fakti se unë simpatizoj Ali Pashën për rebelimin e tij ndaj Osmanëve? Apo fakti se nuk e simpatizoj? Dhe pse Ali Pasha ka të bëjë me situatën e sotme në vend?

Erdogan: Turqia “nuk do të tërhiqet” nga ballafaqimi me Greqinë në Mesdhe

Marrë nga Reuters

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të shtunën se Turqia nuk do të tërhiqet para paralajmërimeve për sanksione dhe as para inkursioneve në një territor të cilin ajo e pretendon si të vetin në Detin Mesdhe, ku ajo dhe Greqia, anëtare e BE-së, janë mbërthyer në një ballafaqim mbi të drejtat për shpim-kërkim në një territor të diskutueshëm.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian thanë të premten pas një takimi të kërkuar nga Athina, se veprimet e Ankarasë, ishin antagoniste dhe të rrezikshme.

Tensionet mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë janë shtuar këtë javë, pasi Turqia dërgoi një anije kërkimi, të shoqëruar nga anije luftarake, për të analizuar një zonë në Mesdheun lindor, mbi të cilën të dyja vendet kanë pretendime territoriale.

“Ne nuk do të përulemi kurrë përballë banditërisë në pjesën tonë të territorit. Nuk do të dorëzohemi para gjuhës së sanksioneve dhe kërcënimeve”, tha Presidenti Erdogan në qytetin verilindor të Rizës.

Anija e kërkimit “Oruc Reis”, që ndodhet mes Qipros dhe ishullit grek të Kretës, do të vazhdojë punën deri më 23 gusht, shtoi ai. Ajo është rrethuar nga fregatat greke dhe të mërkurën anije luftarake të të dyja palëve u përfshinë në një përplasje të lehtë.

Ministrat e Jashtëm të BE-së biseduan në një videokonferencë të premten dhe thanë se lëvizjet e marinës turke do të shkaktonin “rritjen e gjasave për incidente të rrezikshme”.

Ata thanë se keqësimi në marrëdhënien me Turqinë, po sillte pasoja strategjike të gjera për të gjithë Bashkimin Evropian, përtej Mesdheut Lindor.

Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Turqisë, kanë qenë shpesht të mbushura me tensione. Mosmarrëveshjet kanë pasur të bëjnë që nga kufinjtë e pjesëve të nënujore në det dhe hapësirës ajrore, e deri tek ishulli i ndarë në vija etnike i Qipros. Në vitin 1996, dy vendet pothuajse hynë në luftë lidhur me përkatësinë e disa ishujve të vegjël të pabanuar në Detin Egje. zëri i amerikës

Turqia paralajmëron Francën që të mos përzihet në tensionet e Mesdheut

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, tha të premten se Franca duhet të vetëpërmbahet nga hapat që do t’i rrisnin tensionet në pjesën lindore të Mesdheut, ku Turqia është futur në një mosmarrëveshje me Greqinë rreth kërkimit të naftës dhe gazit në ujëra të kontestuara.

Sipas disa burimeve të sigurisë, ushtria franceze ka kryer ushtrime me forcat greke në rajonin e kontestuar, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Duke folur në një konferencë për gazetarë bashkë me homologun zviceran, Cavusolgu bëri të ditur se Zvicra ka ofruar ndërmjetësim për ta zgjidhur mosmarrëveshjen dhe se Turqia është pajtuar në parim për këtë, duke shtuar se Greqia do të marrë kundërpërgjigje, nëse e provokon anijen turke “Oruc Reis”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se mosmarrëveshja mes Turqisë dhe Greqisë ka qenë një ndër temat e diskutimit në bisedën telefonike mes presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump.

Në njoftim thuhet se dy liderët shprehën shqetësim për rritjen e tensioneve mes aleatëve të NATO-s, Greqisë e Turqisë.

Zvicra tha se është e gatshme ta përkrahë dialogun për uljen e tensioneve, nëse një gjë e tillë dëshirohet nga dy palët e përfshira në mosmarrëveshje.

Greqia zgjat kufizimet me Shqipërinë deri më 31 gusht, ja kush lejohet të hyjë nga Kakavija dhe Kapshtica

Qeveria greke ka lajmëruar se ka shtyrë kufizimet për hyrjen e shqiptarëve në Greqi, deri më datë 31 gusht.Lajmi jepet në “Facebook” nga ana e ambasadës greke në Shqipëri.


Sipas vendimit të qeverisë Greke i dates 13.08.20 të përjashtuar nga ky kufizim jane: personat qe kane pasaportë Greke, Kartën e Identitetit të Posaçëm të Homogenit dhe lejen e qëndrimit, personat që kanë vendbanimin e tyre kryesor në Greqi dhe të gjithë ata që kane marre leje për nevoja absolutisht të nevojshme.

Hyrja e personave të mësipërm bëhet nga pikat kufitare të Kakavijes, prej së ciles lejohet të hyjnë 750 persona në ditë, dhe Kapshtices prej së cilës lejohet të kalojnë 300 persona në ditë, nga 07:00 e mëngjesit deri në ora 23:00, ose me aeroplan (fluturimet Tiranë – Athinë).

Nga e Diela e dates 16.08.2020 nga ora 00:01 e drekes, të gjithë ata që hynë në Greqi aplikojnë karantinën 7 ditore që nga ardhja e tyre (duke përjashtuar drejtuesit e kamionëve).

Personat që shkelin karantinën, përveç sanksioneve të parashikuara penale, gjobiten me 5 000 euro. Sipas njoftimit të ambasadës, nga data 17 gusht deri më 31 gusht, të gjithë personat që hyjnë në Greqi, duhet që të paraqesin këtë dokumentacion:

1) Testin negativ për COVID-19 (me metodën PCR), i cili duhet të kryhet deri në 72 orë para mbërritjes në pikën e kalimit kufitar, nga laboratorë publik ose privat të çertifikuar në Shqipëri, (jo i vlefshëm për drejtuesit e kamionëve që transportojnë mallra dhe fëmijët e lindur nga 2011 e tutje)

2) Vërtetimi i diagnozës në anglisht (në të cilën duhet te jete emri, mbiemri dhe numri i pasaportës / numri i kartës së identitetit të një individi

3) Vërtetim për plotësimin e formularit special PLF, me kod QR (nga adresa e postës elektronike https://travel.gov.gr).”, thuhet ne reagimin e ambasadës greke.

Gjuriçi kërcënon para takimit në Washington D.C.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka thënë të premten se deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti lidhur me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington si dy shtete të pavarura, janë “provokuese”, duke i cilësuar të njëjtat si “përpjekje e ulët për të krijuar një klimë të keqe politike, dhe për të parandaluar arritjen e çfarëdo marrëveshjeje”.

Gjuriq ka thënë përmes një deklarate se Hoti në këtë mënyrë “ka nënvlerësuar nikoqirët e takimit në Uashington”, derisa sipas tij, pavarësisht qëndrimit zyrtar të Shteteve të Bashkuara për “pavarësinë e vetëshpallur të Kosovës, ata me siguri janë të vetëdijshme se ky territor de fakto dhe de jure është larg pavarësisë së vërtetë”.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë ndër të parat vende që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, derisa zyrtarët e tyre trajtojnë Kosovën gjithnjë si shtet të pavarur.

Reagimi i Gjuriqit vjen pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes këtyre dy shteteve, Richard Grenell ka bërë të ditur se është duke u planifikuar mbajtja e një takimi në mes të zyrtarëve kosovarë dhe atyre serbë më 2 shtator.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë konfirmuar se i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së Grenellit për takim në Shtëpi të Bardhë.

Të dy liderët kanë thënë se në këtë takim do të bisedohet për çështje ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Grenelli.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe. rel

Slloveni, Pompeo nënshkruan deklaratën mbi teknologjinë 5G

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u takua në Slloveni me udhëheqësit e këtij vendi. Takimet përfshinë mes të tjerash nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët lidhur me teknologjinë 5G.

Gjatë vitit të kaluar vendet evropiane përfshirë Poloninë, Estoninë dhe Republikën Çeke kanë nënshkruar marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, me zotimin që furnizuesit e teknologjisë 5G nuk do t’i nënshtrohen kontrollit nga një qeveri e huaj pa një proces të pavarur gjyqësor, duke përjashtuar qartësisht firmat kineze.

Departamenti i Shtetit tha se disa nga temat kryesore të bisedimeve sot (e enjte) janë përveç çështjes së energjisë bërthamore edhe integrimi i Ballkanit Perëndimor. Zoti Pompeo vizitoi Republikën Çeke të mërkurën dhe tha se fuqia ekonomike e Kinës është në një farë mënyre një kërcënim më i madh global sesa ai që paraqiste Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Ai tha se “Partia Komuniste Kineze është futur tashmë në ekonomitë, politikën dhe shoqëritë tona në një mënyrë që Bashkimi Sovjetik nuk ka qenë kurrë“. Komentet e zotit Pompeo vijnë pasi muajin e kaluar ambasadori kinez në Londër akuzoi Shtetet e Bashkuara për nxitje të konfliktit me Pekinin në prag të zgjedhjeve presidenciale amerikane të nëntorit. zëri i amerikës

Vuçiçi i reagon ambasadës amerikane për blerjen e armëve nga Kina

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha të martën se e ka kuptuar kritikën e ambasadës amerikane për blerjen e armëve kineze dhe të njëjtën e interpreton si një “komunikatë politike”.

“Sa herë që vendosim të blejmë diçka (nga armët), dikush gjithmonë ka diçka kundër nesh, dhe kjo është logjike”, tha Vuçiq gjatë një vizite në sheshin Sava në Beograd.

Ky është komenti i parë i Vuçiqit lidhur me deklaratën e ambasadës amerikane në Beograd dhënë për Radion Evropa e Lirë më 10 gusht, ku thuhet se qeveritë duhet të kuptojnë rreziqet dhe kostot afatshkurtra dhe afatgjata nga të bërit biznes me kompanitë kinez.

Presidenti Vuçiq tha se Serbia ende nuk e ka blerë sistemin raketor kinez për mbrojtje të tipi FK-3, por që ka “menduar për të”.

“Ne gjithmonë do të marrim vendime vetë. Përndryshe, FK-3 nuk është në listën e sanksioneve amerikane,” tha Vuçiq.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Serbi tha më 10 gusht ka thënë se blerja e pajisjeve ushtarake dhe mbrojtëse është një vendim sovran.

Blerja e sistemeve raketore për mbrojtje, FK-3, është përfshirë në raportin vjetor të kompanisë shtetërore për armët, Jugoimport SDPR, që i është dërguar Agjencisë për Regjistra të Biznesit.

Vuçiq gjithashtu nënvizoi se Serbia është një “vend i lirë, sovran”, duke shtuar se nuk do të rrezikonte interesat e vendit.

Vuçiq: Jam i lumtur për shkak të vaksinës ruse

Presidenti i Serbisë, Vuçiq gjithashtu tha se është gëzuar lajmit që Rusia ka prodhuar vaksinën kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

“Unë jam i lumtur nëse rusët e prodhuan, por ekspertët tanë duhet ta kontrollojnë atë,” tha Vuçiq, duke theksuar se vaksina është “një shpëtim për ekonominë tonë”.

Ai gjithashtu tha se i pari do të pranojë vaksinën, për të cilën ekspertët në Serbi thonë se është e mirë dhe ndihmon në parandalimin e COVID-19.

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin, tha se një vaksinë për luftimin e koronavirusit e zhvilluar në Rusi është e gatshme për përdorim dhe se njëra nga vajzat e tij është vaksinuar.

Putini ka bërë këtë njoftim në një takim të qeverisë më 11 gusht, duke theksuar se vaksina është treguar efikase gjatë testimit dhe mund të krijojë imunitet të qëndrueshëm nga koronavirusi.

Më shume se 100 vaksina të mundshme janë duke u zhvilluar në botë dhe të paktën 4 nga to janë në fazën finale të testimit në njerëz.

Faza 3 e testimit përfshin miliona njerëz dhe procesi zgjatë për disa muaj, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Testmi në afat më të shkurtër (i vaksinave potenciale kundër COVID-19) ka ngritur shqetësimin në nivel botërore, pasi po anashkalohet e ashtuquajtura faza e 3-të ku bëhen provat e sigurisë, e cila fazë zakonisht zgjatë disa muaj”, ka paralajmëruar OBSH.

Ministria e Jashtme turke publikon hartën e zonës së aktiviteteve të anijes Oruç Reis

Ankara

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë ka publikuar hartën e zonës në të cilën anija kërkimore sizmike Oruç Reis po kryen aktivitete në Mesdheun Lindor brenda kufijve të raportuar në Kombet e Bashkuar (OKB), transmeton Anadolu Agency (AA)

Çağatay Erciyes, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme për Çështje Bilaterale Politike dhe të Detarisë-Aviacionit-Kufijve, në llogarinë e tij në Twitter publikoi hartën e zonës ku Oruç Reis po kryen aktivitete.

Erciyes ka theksuar se është Greqia ajo që po krijon tensione në rajon me kërkesa maksimale, duke i përmbledhur tezat ligjore të Turqisë.

Erciyes shkroi se anija turke filloi aktivitetet kërkimore sizmike brenda zonave të juridiksionit detar të saj siç është njoftuar edhe OKB-ja, ndërsa shtoi se Greqia krijoi zhurmë të madhe duke pretenduar se zonat ku Oruç Reis po kryen aktivitete i përkasin asaj.

“Për shkak të ishullit Kastellorizo (Meis) me sipërfaqe 10 kilometra katrorë, i cili gjendet 580 kilometra larg nga Greqia kontinentale, Greqia po kërkon 40 mijë kilometra katrorë të zonave të juridiksionit detar, me çka po përpiqet të ndalojë anijen Oruç Reis dhe ta mbyllë Mesdheun Lindor për Turqinë”, tha Erciyes.

Ai theksoi se ky pretendim i Greqisë nuk përputhet më të drejtën ndërkombëtare.

“Ky pretendim maksimalist nuk përputhet me të drejtën ndërkombëtare. Është kundër parimit të drejtësisë. Megjithatë, Greqia kërkon nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ta mbështesin këtë pretendim dhe të ushtrojnë presion mbi Turqinë për të ndaluar aktivitetet e ligjshme për hidrokarbure. Kjo nuk është e pranueshme dhe nuk është e drejtë. Në vend të kësaj, këto vende duhet të kërkojnë që Greqia t’u japë fund këtyre pretendimeve të padrejta dhe absurde. Nuk është Turqia ajo që krijon tensione në rajon, por Greqia për shkak të këtyre pretendimeve maksimaliste”, deklaroi Erciyes.

Tensione mes Turqisë dhe Greqisë, të dyja vendet dërgojnë luftanije në Detin Mesdhe

Anije turke eksploruese e gazit dhe naftës pranë Qipros.

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë mbesin në nivel të lartë, derisa të dyja vendet kanë dërguar anije luftarake në Mesdheun lindor, raporton AP.

Turqia dërgoi një anije kërkimore për të kryer kërkime sizmike për burimet e gazit dhe naftës në një zone për të cilën Greqia thotë se është në pjesën e saj.

Greqia tha se do të kërkojë një takim urgjent të Këshillit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian, njoftoi zyra e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

Ankaraja njoftoi të hënën se anija e saj kërkimore “Oruc Reis” dhe dy anije mbështetëse luftarake, do të zhvillonin aktivitete kërkimore në Detin Mesdhe midis Qipros dhe Greqisë, deri më 23 gusht.

Greqia e cilësoi këtë si një veprim të paligjshëm që shkelte të drejtat sovrane të vendit.

Anijet luftarake greke janë dërguar në zonë, dhe po monitorojnë aktivitetet e anijes turke derisa ushtria është në gatishmëri, thanë zyrtarët.

Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh.

Të dyja vendet kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, duke përfshirë edhe një herë mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore.

Zbulimet e fundit të gazit natyror në Mesdheun lindor kanë ripërtërirë tensionet.

Ankaraja është zemëruar nga një marrëveshje që Greqia nënshkroi me Egjiptin të enjten e kaluar, e cila përcakton kufijtë e tyre detarë dhe zonat ekskluzive ekonomike për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve.

Vitin e kaluar, Turqia nënshkroi një marrëveshje të ngjashme me qeverinë libiane të mbështetur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli.

Marrëveshja Turqi-Libi shkaktoi zemërim në Greqi, Egjipt dhe Qipro, duke thënë se ajo cenonte të drejtat e tyre ekonomike në Mesdhe.

Bashkimi Evropian tha se marrëveshja ishte një shkelje e ligjit ndërkombëtar që kërcënonte stabilitetin rajonal.

Kryeministri, Mitsotakis foli të martën me presidenten greke, Katerina Sakellaropoulou, për ta informuar atë lidhur me situatën në Mesdheun lindor, tha zyra e tij.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, duke folur pas një takimi katër-orësh të kabinetit të hënën në mbrëmje, paralajmëroi se Turqia nuk do të kufizojë eksplorimet e saj në det të hapur.

“Le të bashkohemi si vende mesdhetare. Le të gjejmë një formulë që është e pranueshme për të gjithë, që mbron të drejtat e secilit”, tha Erdogan në një fjalim televiziv, duke thënë Turqia është e gatshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes dialogut. rel

Izetbegoviç: Nuk e besoj kurrë që Serbia e njeh Kosovën, sepse i del problem edhe me Bosnjën

Kryetari i Partisë për Aksioni Demokratik (SDA) dhe nënkryetari i Kuvendit të Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, nuk beson se do të ketë një lider në mesin e serbëve që do ta njohë Kosovën.

Ai thotë se nëse ndodh kjo atëherë do të hapen apetitet për Bosnjë e Hercegovinën, me ç’rast do të ketë shumë zhurmë.

“Nuk besoj se në mesin e serbëve do të gjendet një lider që do të pranojë pavarësinë e Kosovës. Nëse ndodh kjo, atëherë do të hapen apetitet për Bosnjë e Hercegovinën, do të kërkohet kompensim për serbët dhe Serbinë. Do të ketë shumë zhurmë, që me kalimin e kohës do të heshtet dhe nuk do të sjellë ndonjë gjë. Pasi, edhe në Kosovë e edhe në Bosnjë-Hercegovinë pala serbe e ushtria serbe ka kryer krime dhe spastrime etnike”, ka thënë Izetbegoviq për “Radio Sarajevo”.

Veteranët kroatë valëvitin flamujt e UÇK-së, shprehin falënderim ndaj shqiptarëve për mbështetje

Veteranët e Luftës së Kroacisë janë mbledhur në “MK Veterani” në këtë shtet ku kanë falënderuar në mënyrë të veçantë të gjithë shqiptarët që mbrojtën Kroacinë.

Ata kanë shprehur përkrahjen e pastër për veteranët e Kosovës të ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza nga Gjykata në Hagë, shkruan Dnevno.

Duke bartur flamujt e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kolonë me motoçikleta, ata kanë rikujtuar Ditën e Krenarisë dhe Lavdisë kur luftuan krah për krah të kosovarëve dhe kroatëve kundër agresionit të Serbisë.

Vazhdojnë protestat antiqeveritare në Bullgari

Sofje

Në Bullgari ku protestat antiqeveritare kanë hyrë në ditën e 30-të, mijëra njerëz në kryeqytetin e Sofjes dhe në disa qytete të tjera dolën përsëri në rrugë duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Boyko Borisov dhe të kryeprokurorit Ivan Geshev, transmeton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit në Sofje, që u organizuan nëpërmjet mediave sociale, u tubuan para ndërtesës së kabinetit të ministrave dhe brohorisnin slloganet “dorëheqje”, “mafia”, “drejtësi dhe demokraci”.

Protestuesit të cilët pas tubimit para ndërtesës së kabinetit të ministrave marshuan rrugëve të kryeqytetit, në tre kryqëzime vendosën çadrat e tyre të cilat forcat e sigurisë i hoqën me forcë. Kryqëzimet u mbyllën për trafikun dhe u lanë të lira vetëm korsitë për kalimin e ambulancave.

Pavarësisht se Ministria e Punëve të Brendshme kishte marrë masa intensive të sigurisë para ndërtesave publike që ishin në rrugën e marshimit, protestuesit hodhën vezë dhe domate ndaj ndërtesës së kabinetit të ministrave.

Protestuesit, të cilët nuk mbanin simbole të asnjë partie politike, njoftuan se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre deri në dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e parlamentit.

– Presidenti Radev shpreh mbështetje për protestuesit

Ndërkohë, presidenti Rumen Radev, i cili është opozitar, në rrjetet sociale shprehu mbështetje për protestuesit.

“Organet ekzekutive, që shmangin përgjegjësinë politike, përdorin forcat e sigurisë kundër mijëra bullgarëve”, shkroi Radev.

Ai tha se ata që janë në pushtet në një situatë të tensionuar politike, më parë janë të gatshëm “të sakrifikojnë paqen dhe qetësinë shoqërore”.

“Sikurse e sheh edhe media botërore, protestat që vazhdojnë prej një muaji në të gjithë vendin, duan t‘i japin fund sistemit mafioz në vend”, shtoi presidenti bullgar.

Greqia e gatshme të nisë bisedimet me Turqinë për zonat detare

Greqia njoftoi sot se është gati të nisë bisedimet me Turqinë për zonat detare që dy vendet po diskutojnë për të shfrytëzuar në Detin Egje.

Turqia pezulloi kërkimet e saj për naftë dhe gaz jashtë një ishulli grek muajin e kaluar, pasi ato rritën tensionet mes dy vendeve.

“Jemi gati të diskutojmë të gjitha mosmarrëveshjet me Greqinë pa kushte”, deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, më 28 korrik.

“Po presim të shohim nëse Turqia synon seriozisht ta bëjë këtë. Ne jemi gati të bisedojmë që këtë muaj”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, siguroi dje se ishte i gatshëm të diskutonte me Turqinë për kufijtë e zonave detare në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor.

Vuçiç në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Merkel s’mund të marrë vendime për ne, heqim proceset burokratike për kufij të hapur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ashtu si liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor në Samitin e sotëm online ka mbështetur idenë për kufij të hapur.

SipasVuçiçit Samiti i sotëm ishte një seancë produktive dhe se duhet zvogëluar proceset burokratike për kufij të hapur që sjell edhe kursim parash për shtetet.

Vuçiç gjithashtu tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë dhe të bëjnë hapa të shpejtë dhe mos presin BE-në pasi nuk mund të marrë Merkel vendime për to.

“Kemi pasur një seancë prodokutive. Unë duhet të lavdëroj punën tuaj dhe të gjitha të tjerat që janë të rëndësishme për Serbinë. Ne po flasim për një paketë europiane që është e rëndësishme për ne. Së pari duhet të ndryshojmë veten për t’iu përkushtuar më shumë rajonit tonë, për të mos e nënvlerësuar veten dhe të kemi më shumë besim tek njëri-tjetri. Duhet të jemi më të shpejtë në rajon, varet nga ne. Angela Merkel nuk mund të marrë vendime për ne.
Nëse zvogëlojmë të gjitha këto procedura dhe të gjitha këto procese burokratike, përfundimi është se mund të kursejmë më shumë para. Kjo do të thotë që ju duhet të ndaloni të gjykoni fuqinë tonë. Ne duhet të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet tona dhe të jemi shumë më të respektuar nga Shtetet e Bashkuara dhe BE. Ne duhet të bashkëpunojmë dhe të punojmë së bashku sepse të gjithë jemi shumë të vegjël. Kjo është mënyra e vetme për të arritur diçka”- tha Vuçiç.

VIRUSI KOVIDIAN I MOS-BASHKIMIT E KA PREKË POLITIKËN SHQIPTARE NË MALIN E ZI – Nga Ramiz LUSHAJ

 

Washington, 8 prill 2014. Kur kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ishte për vizitë pune në Shtëpinë e Bardhë, iu kërkua nga Zëvendëspresidenti Joe Biden, kandidati i sotëm për President i Amerikës dhe nga kongresmeni amerikan, Eliot Engel, aktualisht dhe kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në Kongresin Amerikan, që t’i mirëzgjidhte kërkesat e problematikat e shumta të Shqiptarëve në Malin e Zi, ai ishte dakord. Krejt dakord. Veçse, me sa më kanë thanë, kishte një kusht. Të vetmin kusht. Përafërsisht kështu. Kësisoj: Të mblidhen të gjitha partitë politike shqiptare së bashku e të më paraqesin një listë të vetme me kërkesat e tyre…!

Natyrisht, Krajl Nikolla i Riu, Milo Gjukanoviçi kryeministër e president i Malit të Zi në dy shekuj, edhe prej vetit, por kryesisht e detyrimisht prej faktorëve gjeo-politik-diplomatik euro-atlantik, ballkanik, panshqiptar, ua plotësoi disa kërkesa, i kreu disa zgjidhje problemesh, por jo gjithnji, jo përgjithnji, jo të gjitha, se ky “dekan i politikës ballkanike” ua di “sëmundjen e keqe” Shqiptarëve në Malin e Zi. Sëmundjen e keqe, kancerogjene: Mos-Uniteti. Mos-Bashkimi…!

Edhe kur “virusi covidian” i përçamjes ndërshqiptare, i mos-bashkimit nacional e politik, nuk i prek randshëm me aspiratorim partitë politike shqiptare në Malin e Zi, Gjukanoviçi ua gjen “shiringën” me njerëzit e Shtetit e të Kabinetit të Vet Qeveritar, kurse Ne-Shqiptarët e Ilirikut e Dy Anëve të Atlantikut, ende nuk po e gjejmë “vaksinën e shpëtimit të kësaj sëmundjeje nacionale”. N’msa për Sars-2/ Covid-19 (!)

Kjo e keqe përbrenda Nesh, edhe kësaj here, doli sheshit. Edhe kundër Gentit e Teutës, Balshajve, Buzukut, Jakup Ferrit, Çun Mulajt, Ded Gjo Lulit, Mujo Ulqinakut, Cafo Beg Ulqinit, Esad Mekulit…Dhe të sotmëve: Mark Gjonit…Ali Dacit. Kundër çdo shqiptari atdhetar nga Bregdeti Adriatik Mesëm në Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Bekuara), në Ballkan e Europë e deri në Amerikë.

Sepse, prapë Shqiptarët e Malit të Zi, partitë e tyne politike, nuk po dalin me nji Listë të Vetme, po janë nda e përça në dy grupime politike elektorale, janë kthye mbrapa, tek Viti Elektoral 2012 e 2016…!

Sepse, disa-sish, shumë-sish nga rraca e politikanëve: janë mbrapsht, janë mbrapa, janë në mbrapshti, prej “Covidit Politik” të pjellës së vet politike e të mbarsjeve të kahershme e derisotme politike kundërshqiptare krajlnikolliane e gjukanoviçiane: janë kthye mbrapa, tek Viti Elektoral 2012 e 2016…!

Zoti i Ndihmoftë! Amin!

Serbia do të blejë një flotë me avionë bombardues – akuzon perëndimin për armatosjen e fqinjëve të saj

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se vendi i tij do të vazhdojë të fuqizojë forcat e armatosura dhe po kërkon të blejë më shumë avionë ushtarakë, mes tensionesh në Ballkan.

Ai tha të dielën se janë ndërmarrë “nisma të caktuara” për të blerë një flotë të avionëve bombardues, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera perëndimore për armatosjen e fqinjëve të Serbisë që janë pjesë e NATO-s, përfshirë edhe Kosovën.

“Amerikanët, turqit dhe gjermanët po kujdesen për fëmijën e tyre të dashur”, tha ai duke ju referuar Kosovës, duke shtuar se Uashingtoni kohët e fundit i ka dorëzuar një numër automjetesh të blinduara Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Gjatë fundjavës në Kosovë ka arritur një pjesë e automjeteve ushtarake amerikane të tipit Humwee të cilat ishin kontraktuar nga qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2018. Një pjesë e tyre janë dhuratë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 2018 u shndërrua në ushtri të saj duke nxitur reagimin e Beogradit i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008.

Gjatë një vizite në një brigadë tankesh të ushtrisë serbe, presidenti serb tha se vendi i tij nuk mund të garojë me “dhuratat e NATO” për fqinjët e tij kur bëhet fjalë për armë dhe “prandaj duhet ta bëjë vet këtë”.

Presidenti serb nuk e sqaroi se çfarë lloj avionësh ushtarak planifikon të blejë Serbia, por mediet pro-qeveritare thanë që kishte kërkuar zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara mundësinë e blerjes së 20 syresh.

Raportet thanë që Uashingtoni nuk i është përgjigjur ende kërkesës së Beogradit dhe se në rast të refuzimit, ka të ngjarë që Serbia të blejë avionë rus të tipit “Sukhoi-25”.

Serbia, e cila ka shpallur neutralitetit ushtarak, së voni ka pranuar sisteme kundërajrore nga Rusia e cila e ka furnizuar edhe me avionë ushtarak, helikopterë dhe autoblinda.

Kina një aleate tjetër e Serbisë i ka dorëzuar dronë ushtarakë.

Zyrtarët amerikanë në të kaluarën kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë, nëse Moska dërgon më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të kërcënojnë sigurinë e vendeve fqinje, anëtare të NATO-s.

Armatosja ruse dhe kineze e Serbisë është parë me shqetësim në perëndim dhe nga fqinjët e saj mes tensionesh në rritje në Ballkanin që përjetoi luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. zëri i amerikës

Vuçiq: Nëse nuk i tërhiqet vërejtja Kosovës, do të vazhdojmë fushatën për çnjohje

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, se lobimi për njohjen e Kosovës nuk është pezulluar, duke thënë se ai do të presë për të parë se cila do të jetë organizata e parë ndërkombëtare ku do të aplikojë Kosova për anëtarësim dhe a do ta njohë dikush pavarësinë e Kosovës.

“Në atë ditë, nëse mentorët e tyre nuk ua tërheqin vërejtjen, ne do të vazhdojmë fushatën tonë (kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës) dhe u premtoj atyre që do të jemi pesë herë më të suksesshëm”, tha Vuçiq para gazetarëve gjatë një vizite në Sremska Mitrovicë.

Vuçiq tha se deklarata e Hotit tregoi se “nënshkrimi i shqiptarëve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe (Zajednica) dhe fjala e dhënë (tek i dërguari amerikan për dialog Richard) Grenellit, nuk do të thotë asgjë”.

Vuçiq gjithashtu tha që delegacioni serb ishte i gatshëm për bisedime mbi ekonominë dhe se delegacioni i Kosovës erdhi në ato bisedime, siç tha ai, me kërkesë për kompensim të luftës.

“Kjo është ekonomi për ta, sepse ata nuk kanë fabrika dhe investime. Ne për këtë nuk do të flasim fare. Dialogu duhet të vazhdojë, por nëse thirrja është ‘Ejani të firmosni pavarësinë e Kosovës’, as mos na thërrisni. Ne jemi gjithmonë për dialog dhe kompromise që çojnë në zgjidhje”, tha Vuçiq.

Kryeministri Hoti, gjatë një raportimi në Kuvendin e Kosovës të premten mbi dialogun me Serbi duke folur për lobimin për Kosovën tha se “nuk ka pezullim të aktiviteteve tona”.

“Nuk ka pezullim të aktiviteteve tona, jemi dakorduar me partnerët tanë që anëtarësimi jonë në organizatat ndërkombëtare të bëhet bashkë me ta, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtar. Kjo është e vërteta”, tha ai.

I dërguari i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, para takimit të planifikuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për rifillimin e dialogut mes dy palëve, kishte thënë se Serbia është pajtuar që të pezullojë përkohësisht fushatën e çnjohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është pajtuar të pezullojë përpjekjet për t’u anëtarësuar në mekanizma ndërkombëtarë, për t’i dhënë shans vazhdimit të dialogut.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë ishte anuluar pas publikimit të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorit Special.

Megjithatë, Hoti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 16 korrik.

Gjatë raportimit para deputetëve, Hoti tha se në takimin e 16 korrikut në Bruksel ka paraqitur kërkesat e Kosovës për zbardhjen e çështjes së të pagjeturve dhe për temat ekonomike.

Gushti, simboli i betejave për liri e bashkim kombëtar, kushtrim për unifikimin e votës së shqiptarëve në Mal të Zi – Nga AZGAN HAKLAJ

 

Me dt 30 gusht do të mbahen zgjedhjet në Mal të Zi.
Shqiptarët do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e vet në Parlamentin e Republikës së Malit të Zi.
Është momenti kur shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, të diasporës, kryeqendrat e tyre politike Tirana, Prishtina, Shkupi, me sy, veshë, zemër dhe mendje, me përgjegjësi të lartë politike, ndërgjegje patriotike, vetëdije të lartë kombëtare të jenë pranë shqiptarëve që banojnë në trojet e tyre etnike në Mal të Zi.
Të jenë pranë këtij komunieti të lavdishëm, i cili në shekuj e mijëvjeçarë e ka mbajtur ndezur flakadanin e lirisë duke u bërë njëherësh përçues nëpër breza i traditave më të shquara historike e kulturore të Kombit Shqiptar.
Mësuesja e madhe dhe e pagabueshme historia e popujve, e të shkuares, të sotmes dhe të ardhmes së tyre është busulla e saktë që na orjenton edhe ne në detin e trazuar të konjukturave politike e gjeostrategjike të kësaj epoke në të cilën vendoset e ardhmja e Kombit tonë në Ballkan.
Pas shembullit të bashkimit politik në emër të interesave të Atdheut, nën Flamurin Kuqezi të shqiptarëve të Tuzit, Luginës së Preshevës, votës plebishitare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është radha e liderëve të shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët deri me dt 4 gusht duhet t’i ulin flamujt e partive dhe të bashkohen e të valëvitin zhgabën e zëzë në fushë të kuqe siç e quante simbolin tonë të shenjtë Fan Noli, për të garuar në një listë të përbashkët me dt 30 gusht.
Muaj gusht është sinonim i nëntorëve të lirisë, si ana tjetër e emblemës së ndritshme e historisë së Kombit Shqiptar.
Data 15 gusht e vitit 1465, është dita e ngjitjes në qiell e Shen Marisë.
Në këtě muaj të shenjtë Gjergj Kastrioti i Madh shpartalloj në Betejën e Dytë të Vaikalit ushtrinë e renegatit Ballaban Pasha që kishte marrshuar nga Thraka drejt Bulqizës dhe ushtrinë e Jakup Beut në Betejën e Kasharit që kishte marrshuar nga Thesalia në Kashar, taktikë ushtarake kjo e Sulltan Mehmetit të Dytë, me qëllim për ta futur Gjergj Kastriotit mes dy zjarresh.
Në këto dy beteja brenda pak ditësh Moisiu ynë shpartalloj 200000 ushtarë osmanë dhe kapi rob 6000 prej tyre.
Në Vaikal shpëtoj vetëm Ballaban Pasha me një grusht njerëzish, ndërsa Jakup Beun e ekzekutoj me heshtë Gjergji ynë, ashtu si Shen Gjergji i mitologjisë kuçedrën, ashtu si Akili pellazgo-ilir Hektorin para mureve të Trojës.
Në Eposin madhështor të shqiptarëve ka dy rreshta, të cilat nuk i gjen’ as në librat e shenjtë të Biblës dhe Kuranit.
Ja si ju drejtohet kreshniku Muj’ agëve të Jutbinës:
“Sa më ngushtë që unë kam ra
Aq ma lirë Zoti ma ka ba”.
Këto vargje madhështore të cilat përmbajnë një antitezë kozmike tregojnë se Zoti i plotëfuqishëm i don shqiptarët e është pranë e në anën e tyre sa herë ju kërcënohet liria dhe ekzistenca.
Fjalët e Gjergjit të Madh, para ushtarëve të dërmuar nga betejat e plagët, të cilët hezituan të futen në Betejën e Kasharit për të cilën fola pak më sipër kanë mbetur profetike dhe deshmi autentike të shpirtit të pamposhtur arbëror.
Kryetrimi shqiptar ju drejtua ushtrisë së tij me këto fjalë:
“Ushtarë të mi’, tregoni armikut gjoksin dhe jo shpinën”
Pesë shekuj më vonë, po në gusht të vitit 1912-të trimat shqiptarë të bashkuar në një ushtri prej dhjetëramijëra luftëtarësh, të prirë nga prijësit e shquar Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Bajram Daklani etj, hyjnë triumfalisht në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkupin e lashtë iliro- dardan duke shpalosur madhërisht Flamurin Kuqezi, të lirë dhe krenarë.
Pikërisht nga ky qytet ideolgu dhe udhëheqësi i Kryengritjes së Përgjithshme për pavarësi Hasan Prishtina organizoj Kuvendin e Madh Kombëtar duke shpalosur projektin e tij për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të vetëm.
Trojet shqiptare në Mal të Zi janë gjymtyrët me të fuqishme e vitale të Atdheut, një hapsirë, ku flet shqip toka dhe qielli, guri e druri.
E nuk ka si të jetë ndryshe, sepse në këtë tokë të lashtë e të bekuar nga vetë Zoti ndodhen tempujt e shenjtë të Kombit Ulqini e Tivari, Podgorica e Tuzi, Hirushet Plava e Gucia të Gjon Balës e Ali Pashë Gucisë, Vranina e Oso Kukës, Deçiçi i Kullës legjendare të flamurtarit të pavarësinë Ded Gjon Luli, Nokshiqi ngadhënjimtarë i Jakup Ferrit, Bali Bajramit e Kajë Selmanes, Hoti i Çun Mulës e Gruda e Zhan Darkës Shqiptare Tringë Smajlit, Kalaja e Mbretëreshës Teutë e Kulla e Balshajve, varri i Ymer Prizrenit, varri i Gjon Buzukut, autorit të parë të Gjuhës Shqipe, varri i përkthyesit integral të Biblës Dom Simon Filipajt, llogoret ku luftuan strategët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjenerali Hodo Sokoli e Baca Kurti.
Shqiptarët e Malit të Zi nuk duhet të ndihen inferiorë pse janë të pakët në numër.
Ata janë kapedanë dhe duhet t’i kujtojnë fjalët e Aleksandrit, apo Lekës së Madh, siç e quajnë shqiptarët e veriut stërgjyshin e tyre të lavdishëm i cili po pushonte pak para se të fillonte beteja me Darin e Persisë.
Kur gjenerali i tij i vjetër Ptolemeu ju drejtua me fjalët:
“Zgjohu Perandor, përballë ke Darin me njëmilion ushtarë”, ai ju përgjigj.
“Ujku nuk mendon asnjëherë se sa e madhe është kopeja e deleve që do të shqyejë.
Beteja është e fituar”.
Data 30-të gusht nuk është betejë shpatash e heshtash, pushkësh apo topash si ato që kanë zhvilluar strategët tanë të mëdhenj për liri në antikitet, mesjetë apo në luftërat ballkanike e botërore me pushtuesit e shumtë për të mbrojtur trojet e veta.
Ajo është një betejë e bardhë elektorale e politike, e cila për asnjë lloj egoje e çmimi, apo përfitimi personal nuk duhet të njolloset nga përçarja.
Historia jonë, Atdheu dhe Flamuri Kuqezi na urdhërojnë të jemi të bashkuar.
Në këto zgjedhje Tirana, Prishtina, Shkupi, Lugina e Preshevës, Çamëria e kanë për detyrë atdhetare, mision kombëtar, obligim imediat, imperativ historik të kërkojnë e të mbështesin bashkimin e shqiptarëve të Malit të Zi për të dalë me një listë të përbashkët dhe për të votuar në mënyre unike për përfaqësuesit e vet për Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, me qëllim rritjen e numrit të këtij pëfaqësimi dhe faktorizimin e tyre.
Ky bashkim është nderim për historinë dhe ardhërinë e Kombit Shqiptar.

FONDACIONI BIBERAJ INC. SHPALL BURSËN PREJ 1,1 MILION DOLLARËSH PËR 36 STUDENTË SHQIPTARË & 4 NGA PAKICAT

Kumtesë për shtyp
20 korrik, 2020. NJU JORK, SH.B.A, PRISHTINË, KOSOVË/ACCESSWIRE
FONDACIONI BIBERAJ INC. SHPALL BURSËN PREJ 1,1 MILION DOLLARËSH PËR 40 STUDENTË NË INSTITUTIN TEKNOLOGJIK TË ROÇESTERIT- RIT NË KOSOVË / FONDACIONI I UNIVERSITETIT AMERIKAN NË KOSOVË
Nju Jork/Prishtinë, 20 korrik, 2020 –Fondacioni Biberaj Inc. shpall ndarjen e bursave të reja akademike, në vlerë prej 1.160.000 dollarësh, për 40 studentë për studimet “Bachelor” në Institutin Teknologjik të Roçesterit në Kosovë/Fondacioni i Universitetit Amerikan në Kosovë (“RIT Kosovë (A.U.K)”).
Bursa Familja Biberaj, që do të jepet përmes konkurrimit dhe që zgjat për katër vjet, u ofrohet 40 nxënësve me rezultate të larta akademike, që kanë nevojë për ndihmë financiare. Tridhjetë e gjashtë (36) bursa do t’u jepen studentëve shqiptarë nga Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova, Shkupi dhe pjesët rurale të Kosovës, dhe katër (4), studentëve që u përkasin grupeve të pakicave në Kosovë. Bursa Familja Biberaj synon që të paktën 50 për qind, por deri në 75 për qind, të bursave të jenë për studente gra. Përparësi do t’u jepet atyre që zgjedhin të studiojnë për shkencë, inxhinieri, teknologji, matematikë dhe gazetari.

Ken Biberaj, zëdhënës i Fondacionit Biberaj, theksoi se: “Fondacioni Biberaj e ka për nderë të mbështesë këtë program të mrekullueshëm dhe krijues. Ashtu si familje të shumta që kanë emigruar në Amerikë, ne u jemi thellësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara për mundësitë dhe sukseset që kemi patur. Kjo bursë e re u ofron një përvojë me të vërtetë globale këtyre të rinjve, me një theks të veçantë për gratë dhe degët e shkencave, inxhinierisë, teknologjisë, matematikës dhe gazetarisë.”

Administrimi i bursave dhe përzgjedhja e studentëve do të jetë përgjegjësi e RIT Kosovë (A.U.K.). Kolegji do të sigurojë akomodimin dhe ushqimin për bursistët.

Pas shpalljes së Bursës Familja Biberaj, Dr. Kamal Shahrabi, President i RIT Kosovë (A.U.K), falënderoi Fondacionin Biberaj duke theksuar: “Jam i lumtur dhe mirënjohës që Fondacioni Biberaj zgjodhi RIT Kosova (A.U.K) si institucionin e preferuar për arsimimin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj. Bujaria e Fondacionit Biberaj do t’u krijojë mundësi 40 të rinjve nga Kosova dhe rajoni të ndjekin studime të standardeve të universiteteve amerikane pranë shtëpisë së tyre dhe me mundësi për të përjetuar përvojën amerikane. Bujaria e Fondacionit Biberaj është një tregues i qartë se Familja Biberaj pret nga të diplomuarit tanë të krijojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe rajonin. Faleminderit për mbështetjen dhe besimin që RIT Kosova (A.U.K) do ta kthejë pasionin e përfituesve të Bursës Familja Biberaj në një karrierë për ta”.    

Në bazë të kërkesave të Bursës Familja Biberaj, çdo student duhet të punojë në një nga muajt e verës, gjatë çdo viti akademik, në shërbim të komunitetit në rajonin e lindjes dhe çdo student duhet të përfundojë programin “Capstone” deri në fund të studimeve katër vjeçare. Po ashtu, çdo student duhet të ndjekë për një semestër, studimet në Shtetet e Bashkuara, në bazë të Programit Global të Studimeve të Institutit të Teknologjisë në Roçester, në kampusin e Nju Jorkut. Për të ruajtur të drejtën e bursës, çdo student duhet të mbajë një mesatare të lartë.

Bursa, e bazuar në mesataren e lartë dhe nevojën financiare, është e vlefshme për këdo që plotëson kushtet e mëposhtme:

  • Është me prejardhje shqiptare nga një prej këtyre rajoneve: zonat rurale të Kosovës, Tropoja, Plava, Gucia, Presheva, Tetova dhe Shkupi, ose i përket një prej grupeve të pakicave nga Kosova.
  • Plotëson formularin e posaçëm të RIT (A.U.K) për këtë program.
  • Është në gjendje të deshmojë rezultate të shkëlqyera në mësime dhe arritje të tjera.
  • Ka marrë pjesë në aktivitete jashtë-shkollore.
  • Duhet të ketë përfunduar shkollën e mesme në kohën e dhënies së bursës.
  • Të jetë në gjendje të deshmojë se ka nevojë financiare.
  • Të ketë njohuri të kënaqshme të gjuhës së shkruar dhe folur angleze. Formulari, procesi i përzgjedhjes dhe intervista, të gjitha zhvillohen në anglisht.
  • Të jetë i aftë të tregojë njohuri të forta në matematikë.
Një njoftim me hollësi të tjera dhe formulari për të aplikuar online për vitin akademik 2021-2022 do të vendoset në këtë adresë https://kosovo.rit.edu/

Mali i Zi – Nga një shtet pa koronavirus në vendin me numrin më të madh të infektimeve në rajon

Aneta Duroviq

Mali i Zi është vendi i fundit në Evropë që regjistroi rastin e parë me koronavirus (17 mars) dhe i pari që nuk pati asnjë rast të ri për 28 ditë rresht (dy cikle të inkubacionit). Kjo është arsyeja pse fundi i epidemisë në këtë vend u shpall më 2 qershor. Në atë periudhë (17 mars – 4 maj), u regjistruan 324 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, dhe nëntë viktima.

Pas kësaj, rasti i parë u regjistrua më 14 qershor dhe deri më 16 korrik, numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 1,582. Numri i rasteve aktive me COVID-19 është rritur shpejt, pas analizimit të 2,000 mostrave të ardhura nga Gjermania, nga të cilat dolën pozitivë 475.

Mali i Zi dërgoi 2,000 mostra për testim në Gjermani, për shkak të mungesës së kapaciteteve të nevojshme që ato të kryheshin në shtet.

Si u shndërrua Mali i Zi, nga vendi “pa koronavirus” në vendin me numrin më të madh të të infektuar për 100,000 banorë në Ballkanin Perëndimor?

Ndihmësi i drejtorit të Institutit të Shëndetit Publik, Senad Begiq, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se besoj që arsyeja kryesore e kësaj është fakti se të gjithë, si shoqëri, u liruan dhe nuk u mbrojtën nga virusi.

“Importi i virusit më nuk mund të shmanget dhe kjo ishte e qartë për të gjithë. Për sa kohë që ekziston kjo sëmundje përkthe dhe për sa kohë që është kudo në botë, nuk ka vende apo territore të mbrojtura apo të sigurta”, tha Begiq.

Siç thotë ai, problemi kryesor qëndron te vetë virusi, pra te karakteristikat e tij, dhe mbi të gjitha në faktin se një numër i madh i personave të infektuar, ata që janë të gatshëm dhe të aftë për të transmetuar infeksionin, nuk kanë simptoma.

“Në kohën kur kemi identifikuar rastet e para, situata në terren ishte e tillë që, falë atij asimptomatizmit, ata përhapën sëmundjen në një numër relativisht të madh të kontakteve dhe gjithçka që po regjistrojmë dhe gjithçka që shohim tani është pasojë e sjelljes dhe ngjarjeve që u zhvilluan disa javë më parë”, thotë ai.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, Bashkimi Evropian e largoi Malin e Zi nga lista e vendeve të sigurta në të cilat lejohet udhëtimi, për shkak të situatës së keqe epidemiologjike. Siç u njoftua nga Brukseli, ky është një rekomandim që nuk është detyrues për anëtarët e BE-së.

Kur bëhet fjalë për rajonin, izolimi prej 14 ditësh është paraparë për qytetarët malazezë kur hyjnë në Serbi, kurse për Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duhet test negativ për COVID-19. Qytetarët e Malit të Zi mund të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë pa kufizime. Qytetarët malazezë për të hyrë në Kroaci duhet të tregojnë testin negativ ose ata do të duhet të kalojnë vetizolim të detyrueshëm ose karantinë 14-ditore.

Cikli i parë i sëmundjes COVID-19 në Mal të Zi u shoqërua me masa të rrepta. Të gjitha institucionet arsimore, restorantet, palestrat dhe qendrat tregtare u mbyllën. Qytetarët ishin të kufizuar të dalin nga shtëpitë e tyre, dhe ishte e ndaluar të mblidheshin më shumë se dy persona në rrugë apo të udhëtonin me një makinë.

Transporti me trafik ndërurban u ndalua po ashtu. Shembulli më drastik ishte karantina e Komunës së Tuzit, afër Podgoricës, pasi u zbuluan 15 raste të infeksionit në një ditë.

Cikli i dytë i sëmundjes, megjithëse me një numër shumë më të madh të rasteve, nuk u shoqërua me masa të rrepta. Këto masat përfshijnë mbajtjen e një distancë fizike, maskë në vende të mbyllura brenda (në Podgoricë nga 17 korriku është e detyrueshme mbartja e maskës edhe në vendet të hapura) dhe thirrjet të Organit Kombëtar të Koordinimit për higjienë më të madhe nga qytetarët. Nga ky trup thonë janë hapur vendet e punës “sepse edhe përmes ekonomisë mbrohet shëndeti publik”.

Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe komunale në katër komuna të Malit të Zi, të planifikuar për 30 gusht, është vënë në pikëpyetje.

Vuçiçi e njofton ambasadorin rus për dialogun me Kosovën

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan Harchenko, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e njoftoi ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandër Botsan Harchenko, në lidhje me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, bëri të ditur kabineti i Vuçiqit.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkant i Radios Evropa e Lirë, Vuçiq e ka bërë këtë një ditë pas rifillimit të dialogut midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve – rrethi i parë pas 20 muajsh – u zhvillua përmes video-konferencës, ndërsa takimi i drejtpërdrejtë është caktuar për datën 16 korrik, në Bruksel.
Në njoftimin e Presidencës së Serbisë, përveç që thuhet se Vuçiq dhe Harchenko diskutuan veçanërisht për çështjen e Kosovës, detaje të tjera nuk jepen.

Reagimi i fundit publik nga Rusia, në lidhje me çështjen e Kosovës, është regjistruar më 18 qershor, kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka qëndruar për vizitë në Beograd.

Atëbotë, Vuçiq ka deklaruar se ka marrë sinjale nga Lavrov që “e kanë shqetësuar edhe më shumë” atë, por nuk ka bërë të ditur se për çfarë bëhej fjalë.

Lavrov, në anën tjetër, ka thënë se Rusia “do të vazhdojë t’i mbrojë” interesat e Serbisë në organizatat ndërkombëtare. Detaje të tjera të bisedimeve nuk janë dhënë.

Vizita e Lavrovit në Beograd është zhvilluar në kohën kur pritej një takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me nismën e të dërguarit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

Ky takim më pas nuk është mbajtur, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Serbi, regjistrohen 11 raste të reja të vdekjeve nga COVID-19

Beograd

Në 24 orët e fundit në Serbi janë regjistruar 11 raste të reja të vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19), si dhe 287 raste të reja nga gjithsej 4.050 teste të realizuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Në këtë moment, 4.091 raste janë aktive, prej të cilëve 144 persona janë në respiratorë.

Që nga fillimi i epidemisë në Serbi, 393 njerëz kanë vdekur, ndërsa shkalla e vdekshmërisë është 2,14 për qind.

Në Serbi janë testuar gjithsej 491.428 persona dhe janë regjistruar 18.360 raste pozitive me COVID-19.

Bosnja përkujton viktimat e Srebrenicës

Bosnja përkujtoi të shtunën vrasjen e rreth 8000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë, në 25 vjetorin e masakrës që tronditi botën dhe u veçua si gjenocidi i vetëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Familjet mbajtën zi, duke qëndruar pranë nëntë arkivoleve të veshura në të gjelbër, ku ndodheshin trupat e viktimave të identifikuara kohët e fundit.

Ato do të prehen në një varrezë në formën e një luleje në afërsi të qytetit, ku gurët e bardhë shënojnë varret e 6.643 viktimave të tjera.

An aerial view of the Memorial Center in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 6, 2020.

An aerial view of the Memorial Center in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 6, 2020.

Rreth 1.000 viktima të masakrës në qytetin lindor të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992-1995 ende mungojnë.

Udhëheqës botërorë folën në ceremoninë solemne përmes lidhjes me video, në pamundësi për të marrë pjesë për shkak të koronavirusit. Në vend të dhjetëra mijëra vizitorëve që zakonisht ndjekin ceremonitë e përvitshme përkujtimore, erdhën vetëm disa mijëra, pasi organizatorët i kishin ndaluar vizitat e organizuara.

“Ne mbajmë zi bashkë me familjet që kërkojnë pa pushim drejtësi për 8,000 jetët e pafajshme të humbura, pas kaq shumë vitesh,” tha Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo.

Uashingtoni ndërmjetësoi marrëveshjen e paqes në Bosnje disa muaj pas masakrës.

Shumica e njerëzve në ceremonitë përkujtimore ishin myslimanë të Bosnjes, çka tregon se Bosnja nuk e ka arritur pajtimin, edhe pse kanë kaluar 25 vite nga përfundimi i luftës, në të cilën u vranë rreth 100,000 njerëz.

Gjykata e OKB-së për krimet e luftës për ish-Jugosllavinë dënoi Ratko Mladiçin dhe shefin e tij politik Radovan Karaxhiçin për gjenocidin e Srebrenicës, por ata mbetën heronj për serbët, shumë prej të cilëve e mohojnë se ka ndodhur gjenocid.

MASAKRA E SREBRENICËS

Në korrik 1995, ish presidenti i serbëve të Bosnjës Radovan Karaxhiç dha urdhër për marrjen e Srebrenicës, qytetit të shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara. Sulmi i forcave serbe rezultoi në Masakrën e Srebrenicës, gjakderdhja më e rëndë e Evropës, që pas përfundimit të Luftës II Botërore. Dhimbja dhe plagët e shkaktuara 25 vjet më parë ndjehen ende sot në Bosnje:

Bota u shtang kur mësoi në verën e vitit 1995 se në mes të korrikut të atij viti më shumë se 8 mijë burra e djem boshnjakë ishin masakruar në qytetin e Srebrenicës që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si “zonë e sigurtë”.

People pray near coffins at a graveyard during a mass funeral in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 11, 2020.

People pray near coffins at a graveyard during a mass funeral in Potocari near Srebrenica, Bosnia and Herzegovina July 11, 2020.

Lufta kishte shpërthyer në Bosnje në prill 1992. Kur ushtria e serbëve të Bosnjes filloi të avanconte drejt lindjes në fillim të 1993, popullata myslimane e zonës u largua për t’i shpëtuar dhunës, duke u mbledhur në Srebrenicë. Ky qytet me 36 mijë banorë, shumica myslimanë, së shpejti kishte thuajse dy herë më shumë njerëz.

Në prill 1993, Kombet e Bashkuara veçuan tre qytete, ndër to edhe Srebrenicën si zona të sigurta dhe vendosën forca paqësore për të mos lejuar ndërhyrje.

Në atë kohë presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dha urdhër që Srebrenica dhe Zhepa të vendoseshin nën rrethim të fortë për të mos lejuar futjen e ndihmave ndërkombëtare.

Më 9 korrik 1995 Radovan Karaxhiçi urdhëroi forcat të merrnin Srebrenicën. Trupat serbe rrethuan qytetin dhe filluan të sulmonin pikat e kontrollit të paqeruajtësve holandezë, duke marrë rreth 30 ushtarë peng. Të nesërmen, më 10 korrik forcat serbe filluan bombardimin e Srebrenicës, megjithë paralajmërimet e holandezëve se NATO do të sulmonte nëse ata nuk tërhiqeshin.

Një ditë më pas avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe, ndërkohë që njësitë serbe kërcënuan se do të vrisnin pengjet holandeze. Sulmet NATO-s u ndalën në mbrëmjen e 11 korrikut dhe komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç hyri në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u përpoqën të largohen për të shpëtuar duke u mbledhur pranë bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Komandanti i serbëve të Bosnjes, Ratko Mladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë refugjatëve të mos kishin frikë. Forcat serbe më pas i futën refugjatët në autobusë për t’i larguar nga zona. Një pjesë u sollën në Kladanj, pranë zonës nën kontrollin qeveritar. Të tjerët filluan të mbërrijnë vetë. Shumë shpejt zyrtarët e Kombeve të Bashkuara vërejtën me shqetësim se në radhët e të zhvendosurve që po mbërrinin mungonin burrat.

“Ka rreth 2-3 mijë refugjatë të tjerë në Kladanj. Ka njerëz që vazhdojnë të mbërrijnë. Por problemi që vërejmë është se grupi i të zhvendosurve janë kryesisht gra, të moshuar dhe fëmijë. Kemi marrë njoftime se mijëra të tjerë janë në Bratunac, kemi kërkuar akses. Pa dyshim që fati i mijëra meshkujve mbetet shqetësim serioz për ne,” tha më 14 korrik zëdhënësi i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Soren Jessen Petersen.

Rreth 15 mijë meshkuj myslimanë kishin arritur t’i shpëtonin rrethimit serb dhe të fshiheshin në pyje, por shumë prej tyre u kapën nga trupa serbe që kishin zënë pritë, të veshur me uniformat e forcave paqeruajtëse të OKB-së.

Me kalimin e ditëve, u bë e qartë se shumë prej burrave të zhdukur kishin pasur një fund makabër. Brenda pak ditësh pas rënies së Srebrenicës, forcat serbe masakruan 8000 burra e djem, shumë prej tyre të kapur rob. Të tjerët u vrarë kur po përpiqeshin të shpëtonin. Shumë prej të kapurve ishin futur në magazina, shkolla, stalla pranë Srebrenicës, ku u qëlluan për vdekje dhe më pas u groposën në varre masive.

Udhëheqësit e serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mladiç u akuzuan nga Gjykata e Hagës dhe më shumë se dy dekada pas luftës në Bosnje u shpallën fajtorë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

25 vjet pas luftës në Bosnje, ende zbulohen varre të reja masive. Identifikimi i viktimave shpesh rezulton i pasuksesshëm, pasi trupat u dëmtuan pas vrasjes dhe u zhvendosën pas groposjes. Kjo mbetet një tjetër plagë e hapur për të mbijetuarit e masakrës më të rëndë të Evropës që pas Luftës II Botërore. zëri i amerikës

Sot varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës

Srebrenicë

Sot do të varrosen edhe 9 viktima të gjenocidit të Srebrenicës e cila cilësohet si tragjedia më e madhe njerëzore e përjetuar pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, raporton Anadolu Agency (AA).

Nëntë viktimat e identifikuara që janë vrarë në gjenocidin në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë në veriperëndim të Bosnjë e Hercegovinës do të prehen në paqen e përjetshme pas faljes së namazit të xhenazes sot në varrezën përkujtimore Potoçari.

Përpara ceremonisë me rastin e 25-vjetorit të gjenocidit do të mbahet një program përkujtimor ku do të shfaqen mesazhet me pamje të dërguara nga shumë liderë botërorë, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në mesin e viktimave të gjenocidit që do varrosen sot janë Salko Ibisheviç, i cili ishte më i riu 23-vjeçar kur u vra dhe Hasan Peziç më i vjetri në moshën 70-vjeçare.

Moshat dhe viktimat e tjera që do të varrosen sot janë si më poshtë:

“Sead Hasanoviç (24), Alija Suljiç (26), Hasib Hasanoviç (25), Zuhdija Avdagiç (48), Bajro Salihoviç (52), Ibrahim Zukanoviç (54), Kemal Musiç (27)”.

Në varrezën përkujtimore Potoçari deri më sot janë varrosur 6.643 viktima të gjenocidit ndërsa pas ceremonisë mortore sot kjo shifër rritet në 6.652.

Çfarë ndodhi në Srebrenicë?

Pas pushtimit të Srebrenicës më 11 korrik 1995 nga njësitë serbe nën komandën e Ratko Mlladiçit, civilët boshnjakë që u strehuan tek ushtarët holandezë që shërbenin në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) iu dorëzuan serbëve.

Serbët të cilët lejuan kalimin e grave dhe fëmijëve në zonën nën kontrollin e ushtarëve boshnjakë, masakruan në pjesën e pyllit, në fabrika dhe depo të paktën 8.372 meshkuj boshnjakë të cilët u varrosën nëpër varreza masive.

Trupat e viktimave që gjenden gjatë punimeve që filluan pas luftës për gjetjen e të humburve, pas identifikimit varrosen në varrezën përkujtimore Potoçari çdo vit më 11 korrik.

24 orët e fundit Serbia regjistron 18 të vdekur nga koronavirusi

Beograd.

Në Serbi gjatë 24 orëve janë shënuar 18 viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Lajmin e bëri të ditur kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila e quajti të premten, si ditën më të rëndë që nga fillimi i pandemisë.

“Deri më tani situata më kritike është në Beograd, pastaj Kragujevc dhe Novi Pazar. Ne po shohim rritje dramatike të numrit të të infektuarve dhe përkeqësim të situatës epidemiologjike në të gjithë rajonin dhe në mbarë botën”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja serbe tha se aktualisht 130 pacientë po trajtohen përmes respiratorëve.

Më herët, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar, tha se kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar mbi 17 mijë të infektuar me koronavirus. rel

Spitalet e Beogradit nuk kanë më kapacitete për pacientët me COVID-19

Një spital i improvizuar në Beograd.

Në Beograd të Serbisë kapacitetet e spitaleve ku trajtohen pacientët me COVID-19 janë mbushur.

Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë, Zllatibor Lonçar.

Sipas tij, dhjetëra pacientë janë dërguar për trajtim në spitalet e Pozharevcit, Smederevës dhe Mlladenovacit.

Pas një takimi me drejtorët e spitaleve, Lonçar theksoi se po punohet në çdo drejtim, për të gjetur mundësi të reja për trajtimin e pacientëve me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

“Nëse situata vazhdon me këtë numër të të infektuarve, sistemi shëndetësor do të jetë në telashe”, tha Lonçar.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë në mënyrë që sistemi shëndetësor të sigurojë ndihmë adekuate për të gjithë.

Serbia, deri më tani, ka regjistruar 17,342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 352 kanë vdekur.

Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri sot, Serbia ka kryer 471,700 teste për koronavirus. rel

Gjykata turke i hap rrugë kthimit të Shën Sofisë në xhami

Ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë.

Një gjykatë turke tha të premten se ka anuluar një dekret qeveritar të vitit 1934 përmes së cilit ish-katedralja bizantike e Shën Sofisë ishte kthyer në një muze.

Gjykata, vendosi se dekreti ishte i paligjshëm, duke i hapur rrugën kthimit të ndërtesës në xhami, përkundër paralajmërimeve ndërkombëtare kundër një lëvizjeje të tillë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan kishte propozuar rivendosjen e statusit të xhamisë në ndërtesën që është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore që mbikëqyret nga Agjencia për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Objekti është një nga monumentet më të vizituar në Turqi.

Katedralja ortodokse ishte shndërruar për një periudhë të shkurtër kohore, 1204-1261, në kishë katolike.

Më vonë, më 1453, pas pushtimit të Konstandinopojës nga otomanët e udhëhequr nga Sulltan Mehmeti II, ky objekt ishte kthyer në xhami, duke shtuar katër minare në të.

Statusi i saj është ndryshuar në muze, sipas një dekreti të vitit 1934.

Më herët, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Turqisë që të ruajë statusin e muzeut për këtë objekt. rel


Send this to a friend