VOAL

VOAL

U anëtarësua bashkë me Shqipërinë në NATO, Kroacia blen 12 avionë luftarakë “Rafale”

Kroacia ka rënë dakord të blejë një seri avionësh luftarakë të përdorur nga Franca, tha këtë të premte kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, në një marrëveshje me vlerë një miliard euro (1.2 miliardë dollarë).Të dymbëdhjetë avionët luftarakë “Rafale” do të zëvendësojnë MIG-të e prodhuara ruse të shtetit kroat. Kjo konsiderohet si blerja më e madhe në Forcat e Armatosura Kroate që nga vitet 1990 kur Kroacia u shkëput nga ish-Jugosllavia.

Vendi anëtar i BE-se zgjodhi ofertën e Francës dhe jo të Izraelit, Suedisë apo Shteteve të Bashkuara. Gjashtë avionët e parë Kroacia do t’i marri deri në vitin 2024. Plenkoviç tha në një mbledhje kabineti se oferta franceze për avionët luftarakë që do u kushtojë 999 milion euro, ishte oferta më e mirë.

“Me këtë çmim të favorshëm, Kroacia do të marrë avionë të vlerësuar dhe të mirëpajisur,” tha kryeministri. Kritikët nga ana tjetër thonë se qeveria duhet të ndihmojë ekonominë e goditur nga pandemia në vend që të shpenzojë miliona për avionë.

Por Ministri i Mbrojtjes Mario Banoziç tha për median se ky vendim nuk u bë për t’i dhënë ushtrisë “lodra të reja. Këta avionë janë baza jonë e sigurisë” tha ai. Kroacia shpenzon pak më pak se 1 miliard dollarë çdo vit në mbrojtje, sipas shifrave të NATO-s. Plenkoviç tha se blerja e avionëve do t’i çonte shpenzimet e mbrojtjes së Kroacisë përtej pragut prej 2%.

Schmidt emërohet përfaqësues i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë

RFE/RL

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bordit drejtues të Këshillit për zbatimin e paqes, zyrtarisht të enjten emëruan Christian Schmidt për përfaqësues të lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, pasi Gjermania e kandidoi atë për këtë pozitë.

Këtë pozitë, që nga viti 2009 e ka pasur Valentin Inzko, i cili të enjten, më 27 maj, dha dorëheqje.

Schmidt do ta marrë detyrën më 1 gusht.

Posti i përfaqësuesit të lartë, me statusin e misionit diplomatik në Bosnje dhe Hercegovinë, është formuar në pajtim me kornizën e Marrëveshjes së paqes në Bosnje dhe Hercegovinë, që njihet si Marrëveshja e Dejtonit, që është arritur më 21 nëntor, 1995, në bazën ushtarake në Dejton të Shteteve të Bashkuar. E njëjta u nënshkrua më 14 dhjetor, 1995 në Paris të Francës.

Për zhbërjen e këtij misioni në Bosnje dhe Hercegovinë më 2008 janë dhënë “5+2” kushte dhe qëllime. Në mesin e tyre është shpërndarja e pronës në mesin të shtetit dhe niveleve të tjera të qeverisjes, një zgjidhje për pronën ushtarake, zbatimin e vendimit përfundimtar për Rrethin Bërçko, qëndrueshmërinë fiskale të Bosnje dhe Hercegovinës dhe zgjidhje për sundimin e ligjit.

Këtu përfshihet miratimi i Strategjisë kombëtare për krimet e luftës, miratimin e Ligjit për të huajt dhe azilin si dhe miratimin e Strategjisë kombëtare për reformën në gjyqësor.

Bordi drejtues i i përfaqësuesit të lartë, e falënderoi Gjermaninë dhe tha shpreson që Shcmidt do të përshpejtojë përmbushjen e kushteve dhe qëllimeve të “5+2” dhe do të kontribuojë në stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, duke siguruar zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes për paqe.

Përfaqësuesi i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë ka autoritetin për “interpretimin final” të Marrëveshjes për zbatimin e aspekteve civile të Marrëveshjes së Dejtonit.

Që nga korriku i vitit 2020, zyra e përfaqësuesit të lartë ka punësuar 13 shtetas të huaj, katër prej të cilëve janë diplomatë të emëruar nga qeveritë e tyre dhe 76 anëtarë të stafit, që janë vendas.

Të shtatë përfaqësuesit e lartë të mëparshëm në Bosnje dhe Hercegovinë ishin diplomatë evropianë dhe të gjithë 12 e parë, ishin diplomatë amerikanë.

Vuçiçi tepër i shqetësuar: Mora informacione zyrtare, i lutemi Greqisë të mos e njohë Kosovën!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç tha sot se ai ka marrë një njoftim zyrtar se Greqia synon të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Ai tha se beson në miqësinë e Beogradit me Athinën dhe se Greqia nuk do të shkojë një hap më tej për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një deklaratë për shtyp pas takimit me patriarkun dhe peshkopët e Kishës Ortodokse Serbe, anëtarët e Këshillit të Ipeshkvijve, Vuçiç tha se kur Kosova vendosi taksë për mallrat serbe, Greqia i dha mundësinë për të hapur zyra tregtare, dhe tani ky raport ka shkuar në një nivel më të lartë.

“Të premten, ne u informuam zyrtarisht se Greqia do të përmirësonte marrëdhëniet e saj me Prishtinën në një nivel më të lartë, drejtorë politikë, i cili është personi më i lartë i mundshëm në nivelin e një ministri”, shpjegoi ai.

Vuçiç tha se do t’i lutet Greqisë të mos e lejojë atë të ndodhë, sepse hapi tjetër do të ishte njohja e pavarësisë së Kosovës. Sipas tij, ky është një problem sepse tregon se jo vetëm Evropa mund të bashkohet kundër Serbisë për çështjen e Kosovës.

Ai theksoi se ekziston një rrezik shtesë që vendeve të tjera t’u bëhet presion për ta bërë të njëjtën gjë.
Pastaj, thotë ai, do të arriheshin marrëveshje bilaterale, ku një vend i tretë do ta përfaqësonte Kosovën në organizatat ndërkombëtare, dhe kështu të bëhej pjesë e NATO-s.

“Situata është shumë e vështirë për ne. Ne e ftuam ambasadorin grek për një bisedë, por nuk morëm asgjë, sepse kemi besim në miqësi dhe shpresojmë që ajo të mos shkojë në masa dhe afrime të mëtejshme”, theksoi Vuçiç.

I pyetur nëse ka marrë garanci se Greqia nuk do ta njohë Kosovën, ai ka thënë se ka marrë garanci të tilla çdo ditë, por që faktet tregojnë se ata po e rrisin nivelin e marrëdhënieve të tyre me Kosovën.

“Në periudhën e ardhshme, unë pres më shumë vizita në Beograd dhe gjithçka që do të funksionojë do të jetë presion. Do të ketë gjithashtu përpjekje për ta siguruar pavarësinë e Kosovës përmes iniciativave rajonale. Ajo do të ofrojë disa zgjidhje që duken të mira në shikim të parë, por prapa kësaj është njohja de facto”, theksoi presidenti serb.

Vuçiç arriti në përfundimin se Serbia po përballet me një periudhë shumë të vështirë politike. Edhe dje Vuçiç foli për marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë, duke shprehur shqetësimin e tij se ato po ndryshojnë dukshëm në rrafshin diplomatik.

Forcat ushtarake ruse mbërrijnë në Serbi

Ushtrimet ushtarake anti-terroriste të ushtrisë ruse dhe asaj serbe kanë filluar sot në Serbi. Njësitë për operacione speciale të Serbisë dhe Rusisë po marrin pjesë në to, shkruan Sputnik, transmeton Gazeta Express.

200 ushtarë dhe 11 njësi të pajisjeve ushtarake të rrethit ushtarak perëndimor po marrin pjesë në stërvitjet ushtarake.

Gjatë stërvitjeve, zbarkimi praktikohet, me ndihmën e sistemeve parashutë “Arbalet”. Përveç kësaj, do të hapet zjarr me armë të vogla.

Në ceremoninë e hapjes, palët theksuan rëndësinë e aktiviteteve të përbashkëta të trajnimit luftarak për zhvillimin e bashkëpunimit midis forcave të armatosura të Serbisë dhe Rusisë.

Komshiç: Debati midis Vjosa Osmanit dhe Aleksandar Vuçiçit nuk ishte i këndshëm

Anëtari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Zheljko Komshiç, duke komentuar Samitin e sotëm në Brdo afër Kranjit, ka thënë se debati ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ktheu samitin Brdo-Brijuni në një “pijetore ballkanase”.

“Në vend që para takimit të Brukselit të gjitha vendet e rajonit të kenë një qëndrim unik se i gjithë rajoni duhet të shkojë kah Bashkimi Evropian, ne në një mënyrë u kthyem në historinë e Ballkanit, për të mos thënë në një ‘pijetore ballkanase’, dhe të trajtojmë tema që në Samitin Brdo-Brijuni nuk u bënë”, -tha Komshiç. Sipas tij, e gjithë historia në lidhje me procesin Brdo-Brijuni, e cila po zgjat dhjetë vite, është konceptuar ndryshe nga ajo që doli në takimin e sotëm.

“Sot, ne u gjetëm në temat e Ballkanit për shkak të debatit, i cili në disa raste nuk ishte shumë i këndshëm, midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Komshiç. Ai vlerësoi se i gjithë debati shkoi në drejtim të gabuar – në paraqitjen e qëndrimeve dhe pikëpamjeve politike të Presidentit të Serbisë dhe Presidentes së Kosovës, të cilat të gjithë i dinë. Komshiç thekson se “pjesëmarrësit në takim u dakorduan me tekstin e deklaratës, por ka mbetur që Kosova të sqarohet për disa gjëra me të cilat nuk pajtohet”.
“Kosova, për shembull, kërkoi që kur bëhet fjalë për tekstin e deklaratës, të mos thuhet për liberalizimin e vizave për Prishtinën, por për Kosovën, për të cilën Serbia nuk ishte dakord”, tha Komshiç.

Ai shprehu keqardhje që takimi përfundoi në atë mënyrë. “Shpresoj që pavarësisht një fundi të tillë, nuk do të ketë pasoja negative në Bruksel kur bëhet fjalë për pretendimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, që t’i bashkangjiten BE-së”, tha Komshiç.

Liderët e Ballkanit marrin pjesë në samitin e Bërdo-Brioni

Flamuri i Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi.

 

Në Bërdo të Sllovenisë zhvillohet sot (17 maj) samiti i shefave të shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të nismës së përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë Bërdo-Brijuni, që ka për qëllim të ndihmojë vendet e rajonit në procesin e integrimeve evropiane. Me këtë takim kësaj radhe shënohet dhjetë vjetori i kësaj nisme, ndërsa nikoqirë të takimit janë presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor edhe ai i Kroacisë, Zoran Millanoviq.

Në takim merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vosa Osmani-Sadriu, krahas kolegëve nga shtetet tjera të rajonit, presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, të Malit të Zi Millo Gjukanoviq, Stevo Pendarovskit të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq të Serbisë ndërsa nga Bosnja e Hercegvoina janë ftuar të tre anëtarët e presidencës kolektive të këtij shteti, Shefik Xhaferoviq, Zheljko Komshiq dhe Millorad Dodik.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në prag të këtij samiti ka zhvilluar disa vizita përgatitore nëpër vendet e rajonit. Ai dje (16 maj) në Bled të Sllovenisë ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Millanoviq, bashkë-kryesuesin e samitit të sotëm.

Millanoviq ka thënë se qëllimi i takimit është që t’u ndihmohet fqinjëve që “sa më shpejtë dhe sa më lehtë, nëse është e mundur, të hyjnë në BE”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë në prag të takimit se me rëndësi të madhe është që të formohet një qëndrim i përbashkët për zgjerim më të shpejtë të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimi për reforma që duhet t’i kryejnë këto vende për ta arritur këtë qëllim.

“Nëse do të kemi sukses në këtë drejtim do të jetë një arritje dhe një shpërblim për kurajon e këtij procesi, pasi shumica e liderëve nga rajoni para dhjetë vjetësh nuk kishin fare raporte dhe nuk bisedonin mes vete”, ka thënë, Pahor duke paralajmëruar se do të ketë biseda të hapura në këtë samit.

Ai ka shprehur bindjen se konkluzat që do të miratohen do të jenë një hap i madh përpara në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Por, burimet diplomatike kanë thënë se ka pengesa për miratimin e konkluzave të përbashkëta pasi është kërkuar që të gjithë të zotohen kundër ndryshimit të kufijve në rajon.

Ky formulim i është dukur i pa pranueshëm Serbisë e cila ka kërkuar që të shtohet edhe pjesa që duhet të respektohen “kufijtë e njohur nga OKB-ja”, duke sugjeruar kështu se kjo nuk do të vlente për Kosovën pasi ajo nuk është anëtare e OKB-së.

Sipas draftit të kësaj deklarate të përbashkët do të bëhet ftesë për një qasje të përbashkët në procesin e zgjerimit të BE-së. Po ashtu edhe për bashkëpunim më të madh mes vendeve të rajonit.

Gjatë ditës, në margjina të samitit në Bërdo, do të zhvillohen edhe një varg takimesh bileterale.

Nga zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu është thënë se ajo do të ketë takime bilaterale me presidentët e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

“Temat që do të diskutohen në takimin në Bërdo afër Kranjit janë: rëndësia e procesit Bërdo-Brijuni në 10- vjetorin e tij, adresimi i pasojave të COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe plani investiv i BE-së, zgjerimi i BE-së si prioritet gjeostrategjik, si dhe përmbyllja e projektit të Evropës së bashkuar me përfshirjen e shteteve te Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e zyrës së Presidentes së Kosovës. rel

Pahor: Jam kundër prekjes së kufijve në Ballkan

VOA

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, tha të enjten në Prishtinë, se përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian do të shmangte alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Prishtinë, prej nga të premten do të shkojë në Beograd në prag të samtit të presidentëve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Procesi Bërdo-Brioni.

Kjo është një nismë e Sllovenisë dhe të Kroacisë, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian që synon forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe nxitjen e dialogut politik midis rajonit të Ballkanit dhe BE-së.

“Në aspektin e paqes, sigurisë dhe mirëqenies së njerëzve si në zonën e Ballkanit Perëndimor por edhe në krejt Evropën, është shumë me rëndësi që të arrihet deri te një qëndrim i Bashkimit Evropian se zgjerimi në hapësirën e Ballkanit Perëndimor është domosdoshmëri gjeopolitike e kategorisë së parë. Me përshpejtimin e zgjerimit në këtë hapësirë njëkohësisht BE-ja do ta përforconte besimin e qytetarëve dhe udhëheqësve në ardhmërinë evropiane, do të nxiste vullnetin politik për reforma dhe para së gjithash, do të shmangte rrezikun nga alternativat e rrezikshme si ndryshimi i kufijve”, tha presidenti Pahor.

Gjatë muajit të kaluar, u ngritën debate pas shkrimeve në mediet kroate e boshnjake për një dokument joformal (non paper) me siç thuhet, propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan. Sipas tyre një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, propozon ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

Por, presidenti slloven Pahor, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, tha se nuk mbështet idetë e përfolura në atë dokument.

“Me porositë nga non paper nuk pajtohem. Qëndrimi im lidhur me këtë është plotësisht i kundërt, unë jam që të mos bisedohet për mundësi të tilla të ndryshimit të kufijve. Unë dëshiroj t’i bind vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me procesin e zgjerimit dhe reformave. Kjo është një domosdoshmëri historike”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se pavarësisht kush harton dokumente me ide të tilla, Kosova asnjëherë nuk do t’i pranojë ato.

“Ne duhet mbi të gjitha të kemi vetëbesim, pavarësisht se kush publikon non papers, pavarësisht se kush mund të shtyjë ide të ndryshimit të kufijve, e rëndësishmja është që përfaqësuesit tuaj, përfaqësuesit e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk do t’i pranojnë ato”, tha ajo.

Në fund të muajit të kaluar edhe diplomatët e Gjermanisë dhe Francës mohuan të kenë hartuar një dokument tjetër për rrugën e përmbylljes së procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të rifillojnë në pjesën e dytë të muajit qershor. Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008, por të dyja palët janë të detyruara të kërkojnë një marrëveshje normalizimi si kusht për integrimet evropiane.

Vuçiq: Një fuqi e madhe do të kërkojë tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, tha se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen të forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Vuçiq u tha gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”.

Ai po ashtu tha se Prishtina ka paralajmëruar se do të ndajë 100 milionë euro në vit për ushtrinë – shumë që, sipas tij, është e pakrahasueshme me Serbinë, e cila ndan dy miliardë euro.

“Këto nuk janë të dhëna të krahasueshme, nuk duhet të kemi frikë, por është e qartë ajo që dikush dëshiron të bëjë”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq.

UNMIK-u, përkatësisht Misioni i Përkohshëm i Kombeve të Bashkuara, është vendosur në Kosovë në vitin 2000, pas sulmeve ajrore të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe.

Ai është vendosur në bazë të Rezolutës 1244, e cila është miratuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në qershor të vitit 1999 dhe e cila është ende në fuqi.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, UNMIK-u ia ka dorëzuar shumicën e përgjegjësive të tij Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, është vendosur në Kosovë po ashtu në qershor të vitit 1999, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova. rel

Kandiq: Dekorimi i Handkes është nisje e luftës ndaj rajonit dhe neve që bartim turpin e gjenocidit dhe krimeve që kreu Serbia

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka reaguar pasi presidenti Aleksander Vuçiq ka dekoruar mohuesin e gjenocidit dhe mbështetësin e Millosheviqit, Peter Handke me medaljen më të lartë shtetërore “ Urdhëri i Yllit të Karagjorgjit”, raporton Gazeta Express.

Kandiq përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Vuçiqi me atë gjest ka filluar një luftë kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe njerëzve në Serbi që mbajnë turpin e gjenocidit të kryer nga Millosheviqi në vitet e 90-ta.

 

“Duke dekoruar me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjitit” Peter Handken, Presidenti i Serbisë, filloi luftën kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe secilit prej nesh në Serbi që mbajmë turpin e gjenocidit të kryer dhe krimeve masive të forcave serbe në luftërat e viteve 1990. Nuk ka asnjë dromcë shprese”, ka shkruar Kandiq.

Predsednik Srbije je dodelom Ordena Karađorđeve zvezde Handkeu započeo rat protiv civilizovanog sveta, suseda i svakog od nas u Srbiji koji nosimo sramotu počinjenog genocida i masovnih zločina srpskih snaga u ratovima 90.tih. Ni tračka nade nema.

— Natasa Kandic (@natasakandic) May 11, 2021

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, para dy ditësh e ka dekoruar me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit” fituesin e çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, i cili i bëri apologjetikë Sllobodan Millosheviqit për krimet e kryera në Ballkan.

Vuçiq e falënderoi Handken për gjithçka që bëri për Serbinë, duke e konsideruar “zëdhënës” të tyre.

Në anën tjetër, asnjë zyrtar shtetëror i Kosovës nuk ka reaguar ndaj dekoratës që presidenti serb Aleksandër Vuçiq i ka bërë mbështetësit të Millosheviqit, shkrimtarit austriak, Peter Handke.

Kina rrit ndikimin në Ballkan përmes universiteteve në Serbi

Një grua në Beograd kalon pranë një flamuri të Kinës. Foto nga arkivi.

 

Reid Standish, Ludmila Cvetkoviq, Maja Zhivanoviq

Me projektin për universitetin kinez në Hungari, që po nxit polemika për shkak të mungesës së transparencës dhe shqetësimeve për liri akademike, ndikimi i Pekinit në arsimin e lartë në Serbi po vazhdon të rritet.

Një marrëveshje strategjike e nënshkruar në prill ndërmjet Hungarisë dhe universitetit prestigjioz të Shangait, Universitetit Fudan, u bë lajm ndërkombëtar dhe nxiti pakënaqësi në Hungari.

Vendimi për të ndërtuar më 2024 kampusin në Budapest, duke përdorur 1.5 miliard hua nga një bankë kineze, vuri në qendër të vëmendjes marrëdhëniet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban me Kinën dhe rriti shqetësimin lidhur me ndikimin afatgjatë që mund të ketë një projekt i tillë në sistemint e lartë të arsimit.

Por, në Serbi – ku Kina ka marrëdhënie të ngushta me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe në dy dekadat e fundit këto dy shtete kanë thelluar marrëdhëniet – bashkëpunimi në rritje me shkollat dhe universitetet kineze po vazhdon i papenguar.

Aktualisht tri universitete serbe – Universiteti i Beogradit, Universiteti i Novi Sadit dhe Universiteti i Nishit – kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Jiao Tong të Shangait, duke i hapur rrugën thellimit të lidhjeve arsimore dhe kulturore ndërmjet Serbisë dhe Kinës.

Marrëveshjet, që ishin nënshkruar më 2018, përfshijnë edhe klauzola në mënyrë që bashkëpunimi të rritet me kalimin e kohës. Aty përfshihet edhe shkëmbimi i studentëve dhe stafit, si dhe bursa e po ashtu edhe mbështetje financiare për orët për mësimin e gjuhës kineze.

Përveç marrëveshjeve me universitetet publike, Serbia gjithashtu është nikoqire e instituteve Konfuci në Beogradi dhe Novi Sad. Këto entitete, që udhëhiqen nga shteti, e që ofrojnë programe të gjuhës dhe kulturës jashtë vendit, janë akuzuar nga kritikët se përdoren nga Pekini për të shpërndarë propagandë, duke u fshehur pas mësimdhënies dhe për të ndërhyrë në fjalën e lirë nëpër kampuset universitare.

Vuçiqi ka çimentuar marrëdhëniet me Pekinin, duke bashkëpunuar në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe në projekte teknologjike që kanë sjellë më shumë se 10 miliardë dollarë investime të huaja direkte në Serbi që nga viti 2005.

Por, fokusi në bashkëpunimin në arsim dhe kulturë paraqet një fazë të re të përfshirjes kineze në Ballkan, Evropë dhe më gjerë.

“Ky është një shembull tipik i përdorimit të fuqisë së butë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Stefan Vladisavljev, analist në Fondin për ekselencë politike të Beogradit. “Teksa Kina po është ende duke ndjekur vendet si Rusia (në Ballkan), kjo gjë mund të sjellë më shumë njerëz më afër Pekinit. Ideja është që ta bëjmë Kinën më të arritshme dhe më të njohur, dhe të lë gjurmë edhe në shoqëri”, tha ai.

Serbia bën pjesë në nismën e Kinës “Brezi dhe Rruga” dhe po ashtu mbështet formatin 17+1 të Kinës, një forum i udhëhequr nga Pekini më 2012, që ka për qëllim ta angazhojë Kinën me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore.

Por, marrëdhëniet e ngushta të Kinës me Beogradin, sipas analistëve, e lejojnë Serbinë që të veprojë si një qendër politike dhe ekonomike për zgjerimin e Pekinit përgjatë Ballkanit Perëndimor dhe të shërbejë si një shembull për meritat e iniciativave kineze, që prej bashkëpunimit në vëzhgim e deri tek ai për luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

“Serbia është shembull i bashkëpunimit në rajon dhe një prej shteteve që Pekini e merr shembull kur dëshiron të tregojë se si duken raportet e suksesshme”, thotë Vladisavljev.

Thellimi i bashkëpunimit

Tena Preleci, hulumtuese në Universitetin e Oksfordit, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se rritja e ndikimit të Pekinit në arsimin e lartë në Serbi duhet të shihet në një kontekst më të gjerë të investimeve që Kina bën në universitete në mbarë botën. Këto investime janë një përpjekje e gjerë e Kinës për të promovuar kulturën, gjuhën e saj dhe raportet ndërkombëtare.

“Dëshira e Kinës është që ta formësojnë mënyrën se si prezantohet në nivel botëror, dhe mendoj se ishte çështje kohe që (Kina) të kishte prezencë më të fuqishme në sferën akademike në Serbi”, tha Prelec.

Por, Serbia përfaqëson gjithashtu një hapësirë relativisht të sigurt për t’u zgjeruar në arsimin e lartë, në shtetin ku Kina gëzon popullaritetin në mesin e popullatës, ka mbështetje nga qeveria dhe iniciativat, të tilla si Instituti Konfuci nuk përballen me nivelin e njëjtë të kritikave, siç po përballen aktualisht në mbarë Bashkimin Evropian, ku disa prej degëve të këtij instituti së fundmi janë mbyllur.

Përderisa programe të tilla ofrojnë mundësi të reja për studentët dhe pedagogët, profesoresha në Universitetin e Beogradit, Dragana Mitroviq thotë se këto përpjekje për diplomaci kulturore janë pjesë e një përpjekjeje më të madhe të Pekinit, që kanë për qëllim përhapjen e një “narrative kineze” në çështjet globale.

“Forcimi i ndikimit kulturor kinez është pjesë integrale e këtij bashkëpunimi (me Serbinë) dhe një qëllim për Qeverinë kineze”, tha Mitroviq për REL-in.

Bashkëpunimi nuk është i kufizuar vetëm ndërmjet universiteteve. Kompanitë kineze po ashtu kanë filluar që të përfshihen në projekte në edukimin e lartë në Serbi.

Kragujevci, një qytet në Serbinë qendrore, në shkurt të vitit 2020 nënshkroi një marrëveshje që universiteti i tij lokal të bashkëpunojë me kompaninë kineze, Dahua Technology. Kjo kompani fokusohet në teknologjinë e video-mbikëqyrjes.

Kompania kineze Linglong, që po ndërton një fabrikë gomash në Zrenjanin, në vlerë pothuajse një miliard dollarë dhe njëherësh është edhe sponsori kryesor i ligës së parë të futbollit në Serbi, në mars të vitit 2020 krijoi një program bursash për studentët serbë.

Një fazë e re

“Kinezët janë duke e diversifikuar qasjen e tyre ndaj edukimit dhe bashkëpunimit akademik, në kuptimin se ata tani po shkojnë përtej institucioneve shtetërore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Vladimir Shopov, anëtar në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Ky lloj i bashkëpunimit, që Shopov thotë është i dizajnuar për të zhvilluar raporte dhe për të shtrirë ndikimin në shoqëri, politikë dhe ekonomi, tashmë po kalon përtej fushëveprimit tradicional me universitetet dhe përmes instituteve Konfuci.

Në vend të kësaj, theksi po vendoset në bashkëpunimin me autoritetet lokale, kompanitë private dhe organizata të ndryshme kineze.

Qendra kulturore kineze në Beograd, që do të fokusohet në arte, letërsi dhe në fusha të tjera kulturore, është planifikuar që të hapet më 2021. Kjo qendër do të krijohet bazuar edhe në qendra të tilla që Kina ka hapur në Bullgari, Greqi dhe Rumani. Qendra kulturore po ndërtohet në një vend simbolik, në Ambasadën kineze, që NATO-ja e bombardoi më 1999 dhe kjo qendër do të jetë si një dritare për artin, literaturën dhe gjuhën kineze.

“Kjo lloj e përfshirjes është hapi tjetër logjik për prezencën e Pekinit në rajon”, tha Shopov. “Kina shikon se si lëvizjet e saj interpretohen në mbarë botën dhe është e qartë për ta se ata duhet të jenë më aktiv, në mënyrë që ta përhapin narrativin e tyre”.

Në Serbi, prezenca e Kinës është përballur me pak rezistencë, por së fundmi punëtorët dhe ambientalistët në mbarë vendin kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ndotjen e ajrit, që po shkaktohet nga projektet që po zhvillohen nga kompanitë kineze.

Protesta për degradimin e mjedisit në Beograd më 10 prill, ku protestuan mijëra persona, shtyn qeverinë që të urdhërojë minierën e bakrit Zijin në Bor, që udhëhiqet nga kinezët, që të ndalojë punën, pasi kjo minierë dështoi që të respektonte standardet mjedisore.

Aktivistët e mjedisit duke protestuar pranë ndërtesës së Parlamentit serb në Beograd më 10 prill.

Aktivistët e mjedisit duke protestuar pranë ndërtesës së Parlamentit serb në Beograd më 10 prill.

Autoritetet po ashtu kanë urdhëruar fabrikën e riciklimit, në pronësi të kinezëve, që të ndalojë prodhimin për shkak të dëmeve që i ka shkaktuar mjedisit.

Por, bashkëpunimi i Kinës me Serbinë në fushën e arsimit dhe kulturës pritet të vazhdojë.

“Ne jemi në fillim të këtij bashkëpunimi dhe është diçka që ende është duke filluar që të zhvillohet”, thotë Vladisavjev. “Ne tani jemi dëshmitarë të fillimit të këtij bashkëpunimi”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Sheshel kërcënon Kroacinë: Nëse ndërtoni bazë ushtarake në Kosovë, do ta sulmojmë me raketa!

Shtimi i forcave kroate në kuadër të KFOR-it në Kosovë dhe keqcitimi në media i ministrit të Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, për gjoja ngritjen e një kampi ushtarak në Kosovë për stabilitet të rajonit, ka acaruar jo vetëm presidentin serb Aleksandar Vuçiç, por edhe liderin e radikalëve serbë, kriminelin e luftës Vojislav Sheshel.

Lideri i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel, ka deklaruar për mediat serbe se “kroatët po duan të ndërtojnë bazë ushtarake në shtetin e ‘rremë’ të Kosovës, në mënyrë që t’u japin instruksione që serbëve në Kosovë t’ua bëjnë atë që ua kanë bërë serbëve në Republikën Srpska dhe në Krainë [Kroaci].

Kroatët duhet të paralajmërohen se ajo që po bëjnë nuk është e ligjshme. Ushtarë legalë në Kosovë, kur janë ndërkombëtarë, janë vetëm ata që dërgohen në kuadër të KFOR-it, kurse ata që shkojnë jashtë KFOR-it dhe që bëjnë një bazë të veçantë kroate, për neve kanë statusin e një skuadre banditësh”, ka thënë Sheshel.

Më tej, ai ka kërcënuar edhe me sulm raketor ndaj një baze eventuale ushtarake kroate në Kosovë.

“Le të mos habiten nëse një ditë i gjuajmë me raketa dhe shkatërrojmë gjithçka atje, kurse ata që eventualisht do t’i zëmë robër dhe do t’i dënojmë si banditë me burgime të gjata. E drejta ndërkombëtare nuk i mbron ata”, është shprehur Sheshel.

Ai ka deklaruar se ushtarët kroatë rrezikojnë kokën e tyre, prandaj më mirë të mos shkojnë [në Kosovë].

Ai madje ka thënë si një ndëshkim, për shkak të kësaj shqiptarët duhet të fshihen, duke theksuar se kur e thotë këtë nuk mendon në popullsinë civile dhe njerëzit e zakonshëm.

Ndryshe, presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, ka thënë se shtimin e forcave ushtarake kroate në kuadër të KFOR-it në Kosovë nuk e shohin si provokim ndaj Serbisë.

Duke komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Kroacia po “poshtëronte Serbinë” duke rritur numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, presidenti kroat tha se nëse do ta dinte se Serbia do të shqetësohej aq shumë, do të kishte biseduar me homologun serb për këtë çështje.

Kroacia ndan për Kosovën 10.000 vaksina kundër COVID-19

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Gërliq Radman ka njoftuar se Kroacia ka ndarë për Kosovën 10,000 vaksina kundër koronavirusit.

Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar të enjten në Prishtinë me ministren për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Qeverinë e Kosovës, Donika Gërvalla.

“Me kënaqësi të veçantë e kam informuar zonjën ministre rreth vendimit të Qeverisë së Kroacisë për dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave te vaksinave kundër koronavirusit për Republikën e Kosovës. Besojmë se ky donacion do të jetë i mirë për mbrojtjen e njerëzve”, ka thënë ai në një konferencë për media pas takimit.

Ministri kroat nuk e ka përmendur se vaksina e cilës kompani do t’iu dorëzohet autoriteteve të Kosovës.

Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech.

Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka njoftuar të martën se këto doza do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit, për arsye shëndetësore.

Kosova ka nisur procesin e vaksinimit në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk ka mundur të nënshkruajë ndonjë kontratë për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe çdo vaksinë e siguruar deri tash, është donacion nga Bashkimi Evropian ose nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë ka arritur në 105,864, i viktimave në 2,195 dhe i të shëruarve në 96,322.

Bullgaria sërish në zgjedhje të parakohshme më 11 korrik

Sofje

Bullgaria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 11 korrik për shkak të dështimit për formimin e qeverisë së koalicionit pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 4 prill, transmeton Anadolu Agency (AA).

Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP) e cila është partia e tretë më e madhe në Parlament ka dështuar në detyrën për formimin e qeverisë.

Liderja e BSP-së, Korneliya Ninova e cila mori nga presidenti Rumen Radev detyrën për formimin e qeverisë ka kthyer mandatin për formimin e ekzekutivit duke deklaruar se partia e saj nuk ka marrë mbështetjen e partisë “Ka Një Popull të Tillë” (ITN) partia e dytë më madhe në Parlament dhe se në seancën e Bordit të Lartë që u zhvillua në fundjavë është marrë vendimi për të hequr dorë nga formimi i kabinetit qeveritar.

Në dështimin e tretë të BSP për formimin e qeverisë pas përpjekjeve të dy partive të tjera më të mëdha në Parlament, presidenti Radev njoftoi se sipas kushtetutës së Bullgarisë do të shpërbëjë Parlamentin dhe se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 11 korrik.

Pas shpërbërjes së Parlamentit, Radev do të formojë “qeverinë teknokrate” e cila do të përgatisë zgjedhjet dhe do të drejtojë vendin deri në formimin e qeverisë së re.

Dështuan edhe përpjekjet e dy partive të tjera

Përpara BSP-së e cila ka 43 deputetë në Parlamentin prej 240 vendesh, kanë dështuar edhe përpjekjet për formimin e qeverisë nga dy partitë e tjera që kanë më shumë vende në shtëpinë ligjvënëse.

Të gjitha partitë tjera në Parlament bojkotuan përpjekjen e formimit të qeverisë nga partia “Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë” (GERB) e cila ka një grup prej 75 vendesh në Parlament dhe që drejtohet nga kryeministri i vetëdorëhequr Bojko Borisov.

Ai më pas detyrën për formimin e qeverisë e dorëzoi me arsyetimin se “nuk do të mund të gjejë mbështetje për sigurimin e votëbesimit” si dhe partia “Ka Një Popull të Tillë” (ITN) e themeluar nga shoumeni Slavi Trifonov që ka 51 vende në Parlament.

Presidenti kroat: Nuk mund të jap garanci për Thaçin

VOA

Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, tha të mërkurën se nuk ka ofruar garanci për lirimin e përkohshëm të ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Hagë nën akuzat për krime lufte.

“Nuk mund të ofroj garanci, kjo është thjesht e pamundur”, tha presidenti kroat, duke shtuar se Kroacia nuk do të bëjë atë që bëri Hungaria si anëtare e Bashkimit Evropian, duke i dhënë strehim ish-kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i cili u strehua në Hungari për të shmangur vuajtjen e një dënimi për korrupsion.

Presidenti Milanoviç, tha se akuzat e ngritura pas kaq vitesh kundër zotit Thaçi e dëmtojnë rajonit”.

“Thjesht mendoj se Thaçi ose duhej të ishte akuzuar prej kohe, ose duhet të lihet i qetë, sepse disa njerëz në Beograd po kalojnë të paprekur”.

Komentet e presidentit kroat pasuan debatet e nxitura pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, për të refuzuar kërkesat e katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, për t’u mbrojtur në gjendje të lirë.

Ligji për themelimin e Gjykatës mundëson që një shteti të tretë, mund të ofrojë garanci për “të marrë dhe nëse është e nevojshme, të monitorojë një të dyshuar”.

Juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, shprehet se “vendi i tretë për të dhënë garanci lidhur me të akuzuarit në Hagë, është edhe Kosova, ose thënë ndryshe është vendi i parë në raport me shtetet tjera”.

Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se “shtetet e fuqishme qe kane qënë sponzorizues dhe promovues të Gjykatës Speciale nuk dalin garant, sepse mund të konsiderohet si paragjykim dhe një lloj ndërhyrje ne procesin gjyqësor, për shkak se kjo gjykatë financohet kryekëput nga këto shtete, prokurorët dhe gjykatësit vijnë mu nga këto shtete. Shtetet demokratike i kushtojnë rendësi jo vetëm pavarësisë në ligj dhe procedurë, por edhe në dukje, dhe perceptimit në publik”, shkroi ai.

Nuk ka pasur ndonjë reagim nga zyra e presidentes së Kosovës, ndërsa zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu tha të mërkurën se “Bazuar në dispozitat ligjore, garancia nuk kërkohet as nga shteti amë e as nga kryeministri i shtetit amë, nga i cili vjen i akuzuari dhe të cilit shtet i takon Gjykata Speciale me juridiksion. Pra, Kosova nuk mund të shërbejë si garantuese, ashtu siç po raportohet”.

Një pjesë e juristëve pohojnë se Kosova mund të ofrojë garanci të tilla vetëm nëse kjo gjë kërkohet nga Gjykata e Posaçme.

Ish udhëheqësit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat.

Gjykata e Posaçme u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës, ndërsa themelimi i saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ngritja e saj si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Panik në ajër, alarm për bombë në aeroplan, Greqia ngre në fluturim avionët luftarakë

Mediet greke raportojnë se një alarm për bombë mbi hapësirën ajrore greke ka krijuar panik. E përditshmja greke “Protothema” raporton sot se një aeroplan pasagjerësh, që po udhëtonte drejt Izraelit, ka dhënë alarmin, kur ndodhej mbi qytetin grek të Heraklio, pasi dyshohej që në bord të kishte bombë.

Menjëherë është aktivizuar mekanizmi i alarmit dhe avionë luftarakë grekë janë ngritur në fluturim. Aeroplani me pasagjerë ka hyrë në hapësirën ajrore të Greqisë rreth orës 09:00, sipas kohës lokale.

Katër avionët luftarakë grekë F-16 e kanë shoqëruar aeroplanin e nisur nga Shtetet e Bashkuara. Për fat të mirë, nuk ka ndodhur asnjë incident dhe sipas informacioneve të fundit, aeroplani është ulur në mënyrë të sigurt në Izrael.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të verifikuar informacionet që flisnin për dyshimet për bombë.

Vuçiq: As mos ëndërroni që Serbia do ta njohë Kosovën

Presidenti i Serbisë Vuçiq, tha të mërkurën se autoritetet në Prishtinë as nuk duhet të ëndërrojnë që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai iu përgjigj kështu pretendimeve të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se prapa gjitha “non papers” të kohëve të fundit qëndron Serbia.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të martën se të gjitha dhe idetë e paraqitura në to, janë destabilizuese për rajonin.

“Më lejoni t’ju them menjëherë se ajo që është shkruar në të nuk do të ndodhë, njohja nuk është e pranueshme për Serbinë,” u tha Vuçiq gazetarëve në Novi Sad, ku ai inspektoi punimet në ndërtimin e një spitali të ri për trajtimin e sëmundjes COVID-19.

Janë dy qarkore të cilat janë publikuar nga mediat në Ballkan në periudhën e fundit, autenticitetin e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta vërtetojë. Ato kanë ngjallur debate të shumta në nivele të larta politike për shkak të përmbajtjes që pretendohet se ofron zgjidhje të çështjes mes Kosovës dh Serbisë, por edhe më gjerë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Njëri dokument është publikuar nga mediat sllovene në të cilën pretendohej se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një dokument, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, dhe tjetri nga gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë, për të cilin është thënë të jetë hartuar nga Gjermania dhe Franca, si iniciativë për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, dhe përmbylljen e këtij procesi me një marrëveshje përfundimtare.

Në këtë dokument thuhej se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Ky dokument nuk është i vërtetë dhe nuk reflekton në asnjë mënyrë pozicionet e Gjermanisë dhe Francës”, është thënë në një përgjigje të Ambasadës gjermane, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Të martën, Shtetet e Bashkuara thanë se mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe antarësimit në institucione kyçe evropiane dhe auroatlantike. Kështu është thënë në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, transmeton Zëri i Amerikës.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,” thuhet në deklatën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Mal i Zi: Një grup kriminal kërcënon jetën e Dritan Abazoviqit

VOA

Të hënën Ministria e Punëve të Brendshme të Malit të Zi ka njoftuar se sipas burimeve të saj, ka sinjale se anëtarët e grupit kriminal Kavaç po planifikojnë sulm ndaj jetës të Zv/kryeministrit të vendit, Dritan Abazoviq.

“Në këtë rast të veçantë, informacioni i mbledhur tregon qëllimin e anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, kryesisht anëtarëve të grupit të organizuar kriminal Kavaç për të ndërmarrë aktivitete që synojnë kryerjen e krimit të rëndë dhe të organizuar si reagim ndaj privimit të tyre nga liria dhe ndjekja penale, duke rrezikuar jetën e zëvendëskryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq”, njoftoi Ministria e Brendshme e Malit të Zi.

Në këtë njoftim thuhet më tej se “duke pasur parasysh rëndësinë e veprimtarive të realizuara më parë, dhe të vetëdijshëm për faktin se anëtarët e grupit të përmendur kriminal janë pjesë e strukturave më të gjera rajonale, me lidhje shumë të forta në nivele të ndryshme, tipari kryesor i të cilave është kryerja e krimeve më të rënda”

Ministria vlerëson se çdo veprimtari që synon rrezikimin e integritetit fizik të zyrtarëve të lartë të shtetit do të destabilizonte situatën shumë komplekse të sigurisë në Mal të Zi.

Ky kërcënim ndaj Zv/kryeministrit Abazoviq vjen pas arrestimit të Slobodan Kashçelan në qytetin bregdetar të Kotorrit, pas së cilit zoti Abazoviq theksoi se ky ishte suksesi më i madh i policisë në 10 vitet e fundit.

Kashçelan ishte drejtues i një grupi kriminal dhe që nga viti 2015 është përfshirë në një luftë të përgjakshme me një bandë rivale për kontrollin e kontrabandës së kokainës nga Amerika e Jugut. Kashçelan i ka mbijetuar dy atentateve më parë.

Vuçiq: Serbia dëshiron zgjidhje kompromisi me Kosovën

Pamje nga takimi mes presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

 

Serbia është e gatshme për vazhdim të dialogut me Prishtinën dhe dëshiron të arrijë një zgjidhje kompromisi, ka thënë të premten presidenti serb Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm gjerman Heiko Maas në Beograd.

“Serbia nuk po kërkon arsye për të mos arritur zgjidhje,” ka deklaruar Vuçiq.

Sipas tij, Beogradi nuk mendon se është mirë të kesh një konflikt të ngrirë sepse njëra palë gjithmonë mund ta shkrijë atë.

“Është veçanërisht e rëndësishme për ne që të zbatojmë marrëveshjet e dakorduara, kryesisht marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshjen mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ne jemi të gatshëm të diskutojmë gjithçka,” ka thënë mes tjerash ai.

Më 21 prill, Qeveria e Kosovës thotë se do të punojë në evitimin e kompromiseve që mund të paraqiten në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Një ditë më parë, Maas ka vizituar Kosovën, dhe ka zhvilluar takime me krerë të lartë shtetërorë.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Maas ka thënë se Gjermania ka ofruar vazhdimisht mbështetjen e pakusht për dialogun në mes të këtyre vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Maas ka thënë se njohja e shtetësisë së Kosovës do të jetë një nga elementet e marrëveshjes.

“Në dialogjet për normalizim të marrëdhënieve, është normale nga të dyja anët të ketë kompromise dhe unë nuk dua të tërheq linja të kuqe, mirëpo në anën tjetër e di që për shkak të linjave historike, kjo gjë është e vështirë. Unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe të ketë gatishmëri nga të dyja palët që të gjejnë rrugë për kompromise”, ka deklaruar Maas.

Lidhur me këtë çështje, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nevojë për rinisje dhe jo vazhdimësi.

“Republika e Kosovës ka ofruar dorën e bashkëpunimit dhe pse për fat të keq Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës do të rrisin zërin që të arrihet drejtësi për secilën viktimë të luftës.

Sipas Osmanit, Kosova do të zhvillojë dialog me Serbinë me parime të qarta.

Maas ka thënë se ka dëgjuar parimet e palës së Kosovës në këtë proces dhe se ato do t’ia përcjellë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në dialog, Mirosllav Lajçak.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. rel

Flet kryeredaktori i mediumit slloven që publikoi dokumentin për ndryshimin e kufijve në Ballkan

Kryeredaktori i gazetës sllovene, Necenzurirano, Primozh Cirman, i cili botoi një ‘non-paper’ mbi ndryshimin e kufijve në Ballkan, tha se Brukseli kishte konfirmuar se kishte marrë një dokument me përmbajtje të tillë nga kryeministri slloven, Janez Jansha.

Cirman tha se Brukseli nuk mund ta mohojë marrjen e kësaj letre.

“Kur lajmi doli të hënën, kolegu ynë nga gazeta e Brukselit, Dela tha se zyra së pari konfirmoi se kishte marrë një dokument që fliste për ndryshimin e kufijve të Bosnje e Hercegovinës, por gjysmë ore më vonë e njëjta zyrë thirri një gazetar dhe tha se nuk mund ta mohonte, por as ta konfirmonte që ata e morën letrën”, tha Cirman për Albanian Post.

Ai thotë se është i pakënaqur që qeveria sllovene është bërë pjesë e këtij plani.

“Personalisht, unë mendoj se Sllovenia nuk duhet të përfshihet, por kam frikë se ajo është përfshirë tashmë dhe se ne do të jemi në gjendje të shohim pasojat në të ardhmen”, tha ai.

Së fundmi, janë publikuar disa dokumente jozyrtare që flasin për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pyetjes së mediumit slloven, 24UR rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së atje. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnje e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.

Bakir Izetbegoviq: Mund të ketë luftë, unë jam gati

Kreu i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq trazoi përsëri publikun, duke e lënë të hapur mundësinë e një lufte të re në Ballkan, transmeton Gazeta Express.

“Unë nuk do ta them atë. Sepse nuk varet nga Alija ose Bakir”, tha Izetbegoviq në një intervistë me kanalin O të Sarajevës.

Pyetjes së gazetarëve se ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse ishte i gatshëm të qëndronte para njerëzve nëse ka luftë, Izetbegoviq iu përgjigj pozitivisht.

“Absolutisht! Absolutisht! Unë preferoj të vdes sot sesa të lejoj gjenocidet të sundojnë një pjesë të Bosnje e Hercegovinës. Padyshim. Unë po ua them këtë sot gjatë Ramazanit. Pra, nuk ka dyshim që ata do ta bëjnë atë. Ata mund ta fillojnë, por ata nuk do ta dijë se si do të përfundojë”, tha Izetbegoviq.

SDA njoftoi ditë më parë se një ndarje paqësore e BeH nuk është e mundur dhe paralajmëroi të gjithë ata që e mbështesin këtë ide se pasoja mund të jetë një luftë e re në rajon, por edhe në gjithë Evropën.

Së fundmi, janë publikuar disa dokumente jozyrtare që flasin për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Pyetjes së mediumit slloven, 24UR rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së atje. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnje e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit,

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç mbështet hapur Edi Ramën dhe sulmon opozitën: Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha!

Vuçiç ndjek zgjedhjet në Shqipëri dhe sulmon Bashën: Pas tij qendron Berisha –

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një intervistë të dhënë së fundmi ka folur rreth zgjedhjeve në Shqipëri që do të zhvillohen më 25 prill

Vuçiç, duke u bërë presidenti i parë serb që flet për zgjedhjet në vendin tonë, ka thënë se po i ndjek sondazhet e dhëna, ku sipas tij kundërshtarët politikë janë me nga dy për qind larg.

Më tej, Vuçiç tha se pas kryedemokratit Lulzim Basha, qëndron ish-kryeministri Sali Berisha.

“Unë jam duke ndjekur nga afër hulumtimet e opinionit publik, dhe dallimi është rreth 2 për qind dhe unë nuk përcjell hulumtime pa lidhje, po ato që janë shumë serioze. Dhe në fakt dallimi është nga 1 në 3 përqind.”-ka thënë Vuçiç.

Sipas asaj që pretendon Vuçiç, pas kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha qëndron ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas Vuçiç, ata flasin për një Shqipëri Etnike dhe ai ndihet krenar që po i pengon.

“Pas Lulzim Bashës qëndron Sali Berisha dhe ju e dini, si vijon e gjithë historia pas saj, nga Veriu i Shqipërisë, me gjithë barrën e së kaluarës, por kjo është çështje e tyre. Dhe sigurisht që unë jam krenar që jam pengesa e tyre më e madhe sepse ata flasin hapur për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Dhe ata flasin hapur për këtë gjë dhe askush nuk reagon.”-ka thënë Vuçiç.

Vuçiç ndër të tjera ka folur rreth letrës të shumë diskutuar ditët e fundit, “non-paper” që pretendohet se ishte dorëzuar në Bruksel presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, nga kryeministri slloven Janez Jansha, e sipas të cilit parashihet që Republika Srpska t’i bashkangjitet Serbisë, kurse Kosova, Shqipërisë.

Vuçiç në intervistën e dhënë për emisionin “Fokues” në B92, tha se nuk e ka parë një letër të tillë ndërsa më pas foli për qëndrimin e Serbisë, Bosnjë Hercegovinës, Kroacisë, dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Unë nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, unë duhet të respektoj integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.”-tha Vuçiç për B92.

Presidenti i Sllovenisë: Kundërshtoj fuqimisht ndryshimin e kufijve dhe idenë e shpërbërjes përfundimtare të Jugosllavisë

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka folur pas tymnajës së madhe të krijuar nga publikimi i një letre në të cilën flitet për ridefinimin e kufijve të Ballkanit Perëndimor. Pahor ka thënë se është kundër idesë së ndryshimit të kufijve.

“Si president i Republikës, unë vizitova Bosnjën shtatë herë. As gjatë vizitës së fundit, as më herët e as më vonë, s’kam qenë në dijeni për ndonjë dokument jozyrtar. Unë e kundërshtoj fuqimisht idenë e shpërbërjes përfundimtare të Jugosllavisë dhe ndryshimin e kufijve”, ka thënë presidenti slloven për mediumin slloven 24.ur.com

Pahor ka thënë se zgjerimi dhe integrimi në Bashkimin Evropian do të parandalojë shfaqjen e ideve të rrezikshme për ndryshime të kufijve, që vetë Pahor thotë se e kundërshton ashpër.

Ai tutje ka thënë se mbështet zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe zgjerimin e BE-së .

Pahor ndërkohë ka thënë se ngecja drejt anëtarësimit të këtyre vendeve, po shkakton edhe humbje të besimit tek vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Për këtë pasojat mund të jenë forcimi i nacionalizmit dhe rritja e ndikimit të vendeve të treta”, ka shtuar tutje Pahor.

Lidhur me letrën e publikuar nga mediat sllovene ka reaguar edhe ministri gjerman për Evropën, Michael Roth. Ai ka thënë se rivizatimi i kufijve është një rrugë e rrezikshme.

Në “non-paper”-in e publikuar nga “necenzuriano.si”, përshkruhej ridefinimi i kufijve në rajon. Sipas asaj letre, Kosova bashkohet me Shqipërinë, derisa “Republika Srpska” e Bosnjës i bashkohet Serbisë./GazetaExpress/

Jansha refuzon të komentojë dokumentin ‘non-paper’ për Ballkanin Perëndimor

“Kabineti i kryeministrit të Republikës së Sllovenisë, tash për tash, nuk do ta komentojë temën për të ashtuquajturin dokument non-paper për Ballkanin Perëndimor”.

Kjo është përgjigjja ndaj kërkesës për një intervistë, të cilën Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kryeministrit slloven, Janez Jansha, lidhur me dokumentin e pretenduar se ai ia ka dërguar Këshillit Evropian.

Më pak se tre muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian, në media u shfaqën pretendimet lidhur me propozimin e supozuar të Janshës për ricaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si një mënyrë për të zgjidhur problemin kronik ndërmjet gjashtë vendeve në rajon.

Me përjashtim të Kroacisë, e cila është anëtare e BE-së, pesë vendet e tjera, si qëllim parësor të tyre e kanë vënë anëtarësimin në këtë bashkësi.

Kërkesën për intervistë e kemi dërguar në kabinetin e Janshës, të enjten, më 15 prill, në ditën që portali slloven “Pa censurë” (“Necenzurisano”) e ka publikuar kopjen e pretenduar të dokumentit kontrovers.

Sipas përmbajtjes së publikuar, bëhet fjalë për ricaktimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë, si dhe parashikohet mundësia e shkëputjes së entitetit të Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, si dhe bashkimi i një pjese të Bosnje e Hercegovinës, pra, Hercegovinës perëndimore me Kroacinë.
Çfarë është non-paper?

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është dokument joformal, zakonisht pa theksim të qartë, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja për ndonjë çështje të kontestuar procedurale ose politike.

Non-paper është formë e zakonshme komunikimi e një ose më shumë anëtareve të BE-së rreth një çështjeje të caktuar. Por, në formë, ky non-paper i pretenduar dallon nga dokumentet e tjera të ngjashme që qarkullojnë në Bruksel dhe ndërmjet vendeve anëtare të BE-së.

Në dokumentin, për të cilin “Pa censurë” thotë se e posedon, nuk theksohet emri i pranuesit ose dërguesit dhe as nuk theksohet data ose çfarëdo logotipi.

Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta vërtetojë autenticitetin e non-paper-it, të cilin e ka publikuar “Pa censurë”.
Çfarë krejt ka thënë Jansha?

Janez Jansha, disa herë, është paraqitur përmes Twitter-it lidhur këtë çështje, por ai asnjëherë nuk i ka konfirmuar ose mohuar pretendimet e non-paper-it.

Të hënën në mbrëmje, ai theksoi se këto ishin veprime që synonin “të dëmtonin Slloveninë në BE”.

“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektiven e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë atë qëllim”, ka thënë Jansha në Twitter.

Lidhur me këtë çështje, rivalja politike e Janshës, liderja e Socialdemokratëve sllovenë, Tanja Fajon, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp të enjten, duke ftuar kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme që të deklarohen për çështjen e pozicionit të Sllovenisë ndaj vendeve të rajonit.

“Politika e jashtme e përgjegjshme sllovene duhet të deklarohet dhe të mbështesë perspektivën e qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjë për të cilën unë i bëj thirrje Janshës që sa më parë, Ballkanit Perëndimor t’ia bëjë të qartë qëndrimin, veçanërisht Bosnje e Hercegovinës. Ne kemi një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE-së, Sllovenisë dhe rajonit gjatë presidencës sonë”, theksoi Fajon.

Ajo tha se nuk ka pasur qasje në këtë dokument dhe se non-paper-i i fundit në rajon, të cilin ajo e ka parë, është ai që e ka prezantuar Kroacia, më 22 mars, ku kërkohet fokus më i madh i BE-së ndaj Bosnje e Hercegovinës. Atë non-paper, përveç Kroacisë, e kanë nënshkruar edhe Sllovenia, Greqia, Hungaria dhe Bullgaria.

Ministri i Jashtëm slloven, Anzhe Logar, të mërkurën, më 14 prill, mohoi pretendimet në lidhje me non-paper-in, i cili, sipas pretendimeve të pakonfirmuara të disa mediave në Slloveni dhe Bosnje e Hercegovinë, Jansha ia paraqiti Komisionit Evropian. Logar ka theksuar se bëhet fjalë për “manipulim dhe tentim të komprometimit të Qeverisë dhe presidentit” të Sllovenisë.

Sllovenia do ta marrë përsipër kryesimin e BE-së në pjesën e dytë të këtij viti dhe tashmë e ka bërë të ditur se rajoni do të jetë në mesin e prioriteteve gjatë kryesimit të saj. Në këtë kuptim po planifikohet që gjatë vjeshtës të mbahet samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Çfarë thonë në Bruksel?

Zyrtarët e Bashkimit Evropian po insistojnë që kurrfarë non-paper-i i kësaj natyre nuk ka ardhur në institucionet e tyre.

Të martën, më 13 prill, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, u ka deklaruar gazetarëve se zyrtarët e Brukselit janë të njoftuar për shkrimet në media, por që “nuk dihet që një letër e tillë ekziston”.

“Përfundimisht, nuk kemi marrë dhe as nuk kemi parë, si dhe nuk jemi të njoftuar lidhur me atë letër. Prandaj, nuk do të komentojmë mbi temën e supozuar të përmbajtjes së këtij dokumenti”, ka deklaruar Stano.

Gjithashtu, të martën, pasi që mediat sllovene e kanë publikuar dokumentin e pretenduar, pala evropiane qëndron fuqishëm pranë qëndrimit se nuk e posedojnë këtë dokument, prandaj edhe refuzojnë që ta komentojnë përmbajtjen e kësaj letre.

Zëdhënësi i kryetarit të Këshillit Evropian, Barend Leyts, u ka thënë po ashtu gazetarëve se “nuk mund ta konfirmojë se kanë marrë një dokument të tillë”.
Çfarë vlerësimesh vijnë nga Ballkani Perëndimor?

Shefja e diplomacisë së Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, ka shkruar të martën në llogarinë e saj në Twitter, se është e bindur që askush që është serioz brenda Bashkimit Evropian, nuk mund ta miratojë idenë se ka të drejtë të rrezikojë integritetin e dikujt.

“Pra, edhe nëse brenda Bosnje e Hercegovinës kemi forca retrograde, të cilat tentojnë që këtë ta imponojnë si rrëfim legjitim…”, tha Turkoviq dhe shtoi se e gjithë kjo e ka një qëllim të dukshëm për të hapur “Kutinë e Pandorës” dhe ta destabilizojë gjendjen në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, në asnjë nga takimet që presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, kishte në periudhën e kaluar me homologun e tij slloven, Borut Pahor, nuk u diskuta ndonjë rishikim i mundshëm i kufijve në Ballkan, i është thënë Radios Evropa e Lirë nga kabineti i presidentit Pendarovski.

Plani i kryeministrit slloven për kufijtë e Ballkanit, reagon Tanja Fajon: Të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë sa më shpejt të jetë e mundur

Eurodeputetja nga Sllovenia, Tanja Fajon, ka reaguar ndaj lajmeve se kryeministri slloven Janez Janša ka paraqitur një “non-paper” me planet e tij për riorganizimin e Ballkanit.

Siç kanë raportuar mediat, “zgjidhje” titullohet paragrafi i një “non-paper” që kryeministri slloven Janez Janša u dorëzoi disa personave të përzgjedhur në BE disa muaj më parë.

Dhe lidhur me këtë, Fajon ka shkruar se pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për këtë vend është tashmë shumë i madh.

Sipas saj, mënyra e vetme për paqe, bashkëpunim dhe bashkëjetesë të vendeve dhe kombeve në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e tyre e qartë evropiane.

“Ekziston një perceptim i rrezikshëm i politikës për Ballkanin Perëndimor në lidhje me Slloveninë, e cila kërcënon seriozisht besueshmërinë dhe suksesin e Këshillit tonë të BE-së. Pavarësisht nëse është një dokument i krijuar në Slloveni apo jo, dëmi që u krijua për vendin tonë është tashmë shumë i madh. Është e nevojshme që të jepet një pozicion i qartë i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht për BeH para se të humbasim një mundësi të jashtëzakonshme për të rivendosur besimin midis BE, Sllovenisë dhe rajonit, si dhe njerëzve në rajon me hapa konkretë për të hedhur një shpresë të re në një perspektivë të qartë evropiane. Nga konferenca e sotme për shtyp ku prezantova qëndrimin tim për zgjerimin e BE-së. Mënyra e vetme për paqe, bashkëpunim dhe bashkëjetesë të vendeve dhe kombeve në Ballkanin Perëndimor është perspektiva e tyre e qartë evropiane”, shkruan Fajon.

Politikani serb shokon mediat e Beogradit, e pranon se Kosova s’është Serbi

Politikani serb dhe kryetari i partisë socialiste serbe, LSV, Nenad Çanak, ka thënë se Kosova s’është pjesë e Serbisë.

Duke kritikuar opozitën, ai u tha atyre të përpiqen të vijnë në Kosova dhe ta shohin se sa është pjesë e Serbisë, deklaratë kjo që u cilësua si shokuese nga mediat serbe, përfshirë gazetën serbe, Kurir, transmeton Gazeta Express.

 

“Si mund të mos jepni diçka që nuk është e juaja edhe ashtu? Nëse Kosova është Serbi, përpiquni të shkoni në Kosovë dhe do të shihni se sa është pjesë e Serbisë”, tha Çanak.

Ai tha se “opozita e bojkotit” po e sulmon atë sepse ai ka një politikë të qartë për 30 vjet.

“Boris Tadiq është shoku im dhe një njeri me të cilin kurrë nuk kam rënë dakord për një numër gjërash dhe ai i di shumë mirë ato. Por meqenëse premtova të mbaj shumicën në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Serbisë, në mënyrë që të njëjtit njerëz që janë tani në pushtet të mos vijnë, ne, me pesë deputetë që ishin vendimtar për ruajtjen e shumicës parlamentare, pa asnjë vend në qeveri, ishin në një pozicion për katër vjet dhe unë nuk mund të përfshihem as në komisionet parlamentare. Ne e shpëtuam atë”, tha Çanak.

Ai shtoi se roli i bojkotuesve është të shpikin se ata do të zgjidhin problemin e Kosovës “sepse ata nuk do të heqin dorë nga ajo”.

Pamje e rëndë pas ekzekutimit të gazetarit grek, kush janë dy dëshmitarët kyç të ngjarjes

Policia greke po fokusohet në dëshminë e dy dëshmitarëve, për të hedhur dritë mbi vrasjen e gazetarit Jorgos Karaivaz.

Ky i fundit u gjet dje i pajetë pranë banesës së tij në Alimos, ku u ekzekutua me 6 plumba. Hetuesit në Greqi mësohet se po këqyrin po ashtu kamerat në vendngjarje.

Po ashtu, kryeministri Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar Ministrit të Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chrysochoidis, nisjen e një hetimi të shpejtë mbi çështjen. Madje, lidhur me ngjarjen që tronditi dje Athinën pritet të ketë edhe një takim në Pallatin Maksimos, mes kreut të qeverisë dhe ministrit në fjalë.

Kamerat e sigurisë dhe ato të monitorimit të trafikut rrugor, mund ti ndihmojnë oficerët e sigurisë që të ndërtojnë rrugën që kanë ndjekur vrasësit. Po ashtu po këqyren edhe kompjuterët dhe celularët e viktimës, për të parë bisedat e tij të fundit dhe nëse ka marrë mesazhe kërcënuese.

Dyshohet se vrasësit e kanë monitoruar prej ditësh gazetarin e ndjerë, duke zbuluar lëvizjet e tij. Gazetari nuk i kishte rrëfyer asnjërit prej të afërmeve apo kolegëve të tij se ka marrë kërcënime apo se i rrezikohej jeta, po ashtu ai nuk mbante armë dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje policore.

Policia po i kushton vëmendje të veçantë katër dëshmive, dy prej të cilave vlerësohen si shumë të rëndësishme, pasi këta persona ndodheshin fare pranë ekzekutimit dhe panë skenën e vrasjes. Sipas raportimeve paraprake reporteri i kronikës së zezë Jorgos Karaivaz, u qëllua me 6 plumba në trup ndërsa po kthehej nga puna në shtëpi, rreth orës 14:00. 12 gëzhoja që dyshohet të jenë zbrazur nga një armë me silenciator u gjetën në vendngjarje.

Dy dëshmitarët kyç thanë se autorët po lëviznin me një motoçikletë të vogël, me gjasë scooter, me të cilin ia mbathën, duke e lënë të pajetë reporterin pranë makinës së tij.

Vrasja u dënua edhe nga Komisioneri Evropian dhe komisioneri i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut. “Vrasja e një gazetari është një veprim për tu përbuzur dhe frikacak”, do të shkruante të premten shefja e Komisionit Ursula von der Leyen.

Ursula von der Leyen: Vrasja e gazetarit George Karaivaz është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh

Dy njerëz të armatosur në motoçikletë vranë të premten një gazetar të njohur grek pranë shtëpisë së tij në Athinë, njoftoi policia.

George Karaivaz, një gazetar karriere i televizionit privat STAR TV, ishte i njohur në audiencën greke për mbulimin e ngjarjeve që lidheshin me rendin dhe me policinë.

Ende nuk ka njoftime rreth një motivi të mundshëm për vrasjen, por policia tha se vrasja ishte planifikuar me kujdes.

“Vrasja e një gazetari është një veprim i përbuzshëm prej frikacakësh,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një koment në Twitter.

“Evropa është për lirinë. Dhe liria e shtypit është ndoshta më e shenjta nga të gjitha,” tha ajo.

Policia tha se gazetari u vra të premten pasdite nga dy njerëz në motoçikletë, të cilët qëlluan me breshëri plumbash afër shtëpisë së tij në Alimos, në jug të Athinës. Të paktën 12 gëzhoja u mblodhën nga vendi i ngjarjes, tha një zyrtar i policisë.

“Ishte një atentat profesional,” tha zyrtari i policisë, i cili foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median.

Zëdhënësja e qeverisë greke Aristotelia Peloni tha se vrasja “na tronditi të gjithëve”.

“Autoritetet po hetojnë për të arrestuar autorët dhe për t’i sjellë para drejtësisë,” tha ajo. VOA

Vuçiqi mohon gjenocidin serb në Kosovë: S’dua ta fyej ambasadorin Schieb, ai tha çfarë mendon Gjermania

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka folur sot rreth deklaratës së ambasadorit gjerman në Beograd, se bombardimi i Jugosllavisë ka qenë i nevojshëm për të parandaluar gjenocidin serb në Kosovë

Vuçiq ka thënë se shpjegimin e njëjtë për bombardimin e kanë të gjitha 19 shtetet të cilat kanë participuar në ndërhyrjen ushtarake.

 

Derisa ka thënë se është i bindur që s’ka pasur qëllime për gjenocid dhe se sipas Vuçiqit askush s’ka arritur ta provojë që ka pasur përpjekje për gjenocid, shkruan Kosovo Online, transmeton Gazeta Express.

Kreu i shtetit serb tutje ka thënë se për atë çfarë ka ndodhur në vitin 1999 të gjithë kanë pikëpamje të ndryshme.

“Të gjitha 19 shtetet që morën pjesë në bombardime kanë të njëjtin shpjegim. Ambasadori Schieb s’ka thënë diçka ndryshe. Unë e njoh atë si njeri që ka sjellë investime këtu dhe që e do Serbinë”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se Schieb në ato momente është dashur të përgjigjej në vijë me politikën gjermane.

“Nuk më shkon mendja ta fyej personalisht, sepse ai nuk e meriton”, ka thënë Vuçiq.

Presidenti serb tutje theksoi se ndonjëherë është mirë të dëgjohen deklarata të tilla, sepse mund të shihet se çfarë mendojnë në të vërtetë ata që morën pjesë në bombardime për gjithçka që ka ndodhur.

“Është detyra jonë të përgjigjemi dhe të themi se nuk është e vërtetë, t’i shohim gjërat ndryshe. Ne duhet të punojmë dhe të bashkëpunojmë me Gjermaninë, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë. Nuk është vetëm çështja e parave, por edhe e ndryshimit në vend. Është detyra jonë të themi me çfarë pajtohemi dhe çfarë jo, ne mbrojmë me krenari pozicionin tonë, por gjithashtu të kërkojmë të ruajmë integritetin e atyre që janë miq, e jo të bëjmë armiq të atyre që janë miqtë tanë “, përfundoi Vuçiq.

Slloveni, regjistrohet mëngjesi më i ftohtë i prillit ndonjëherë

Lubjanë

Në jug të Sllovenisë në mëngjes u regjistruan temperatura minus 20 gradë Celsius që është mëngjesi më i ftohtë i prillit i regjistruar ndonjëherë në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Temperatura më e ulët u regjistrua në Nova Vas, minus 20.6 gradë Celsius, që është rekordi i ri zyrtar slloven për muajin prill.

Deri tani, temperatura më e ulët e regjistruar në këtë vend ishte minus 18 gradë Celsius, ndërsa ishte matur më 4 prill të vitit 1970, njoftoi Agjencia Sllovene e Mjedisit (ARSO), sipas agjencisë sllovene të lajmeve STA.

Bora mbuloi të gjithë Slloveninë të martën. Në disa pjesë të vendit, bora e vështirësoi trafikun, shkaktoi rrëshqitje në rrugë si dhe disa aksidente trafiku.

Krizë në Mal të Zi për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë

Predrag Tomoviq

Katër muaj pas zgjedhjeve, Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, përballet me sfidën më të madhe në raport me shumicën: kërkesën për të shkarkuar ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviq.

Krivokapiq njoftoi më 5 prill se ka kërkuar largimin e Leposaviqit për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai sfidoi edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Leposaviq u zgjodh ministër i Drejtësisë më 4 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me 11 ministra të tjerë të Qeverisë së Krivokapiqit.

Qeveria, që rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve pas 30 vjetësh në pushtet, u votua nga një shumicë prej 41 deputetësh, të udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë këtë javë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit për shkak të deklaratave të tij në lidhje me Srebrenicën.

Deri më tani, provimi më i vështirë për Qeverinë e Krivokapiqit

Qeveria ka rënë në krizën më serioze deri më tani, për shkak të gjenocidit në Srebrenicë – një ngjarje kjo që ka ndodhur 26 vjet më parë – thotë për Radion Evropa e Lirë Daliborka Ulareviq, drejtoreshë e Qendrës për Edukimin Qytetar (CGO).

“Deri më tani, ky është treguesi më i fortë i keqkuptimeve elementare midis kryeministrit dhe përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, si dhe i dallimeve të ndërsjella për një numër çështjesh. Është po ashtu një tregues se kjo qeveri nuk është aq eksperte dhe nuk ndjek agjendën evropiane”, thotë Ulareviq.

Si shembull, ajo përmend pikërisht Leposaviqin dhe pikëpamjet e tij mbi Srebrenicën.

“Leposaviq nuk tregoi ndonjë ekspertizë të dukshme gjatë mandatit të tij të deritashëm dhe nuk promovoi sistemin e vlerave dhe standardeve në fushën e të drejtave të njeriut, që janë trashëguar nga anëtarët më progresivë të Bashkimit Evropian”, thotë Ulareviq.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Forcat serbe kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë, më 1995.

Avokati dhe ish-ministri i Drejtësisë në Mal të Zi, Dragan Shoq, thotë se nuk ka asnjë rezultat nga shkarkimi i Leposaviqit – nëse fare ndodh – i cili do të ishte i favorshëm për kryeministrin dhe Qeverinë e tij.

“Është e qartë se kryeministri nuk e ka përkrahjen e grupit që mbështet Qeverinë për largimin e Leposaviqit. Në anën tjetër, nëse e tërheq atë propozim, kjo do ta minonte legjitimitetin e tij si kryeministër”.

“Cilido opsion nuk është i mirë dhe kjo nuk është aspak një situatë e këndshme politike për Qeverinë”, thotë Shoq.

Devijimi nga rruga evropiane, zgjedhje të reja apo vazhdim i trazirave?

Në përgjigje të deklaratës së Leposaviqit për Srebrenicën, Bashkimi Evropian tha më 29 mars se hedh poshtë dhe dënon çdo mohim, relativizim ose keqinterpretim të gjenocidit në Srebrenicë.

Për të njëjtin rast, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj dhe shpresën se “Qeveria e Malit të Zi do ta dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ka qenë – gjenocid”.

Meqenëse Fronti Demokratik dhe Demokratët, si dy grupet më të mëdha në pushtet, kanë thënë tashmë se nuk do të votojnë për largimin e Leposaviqit, pyetja është se cili mund të jetë epilogu i konfliktit midis kryeministrit dhe partive që e kanë zgjedhur shef të Qeverisë?! Më 5 Mars, kryeministri Krivokapiq nuk kishte asnjë dilemë:

“Pohoj, bazuar në informacionin që kam, se kjo është një përpjekje për ta përmbysur Qeverinë nga brenda. Për këtë punojnë përfaqësues të shumtë të partive të caktuara në pushtet dhe të Partisë Demokratike të Socialistëve”.

Përkundër situatës së krijuar, Daliborka Ulareviq thotë se nuk pret ndryshim në “kursin evropian” të Qeverisë malazeze.

“Nuk pres ndonjë ndryshim, sepse kemi kohë që luhatemi në atë rrugë… Kjo Qeveri e re nuk ka bërë asgjë për t’i çuar gjërat përpara, kryesisht për shkak të injorancës thelbësore të procesit të integrimit”, thotë Ulareviq.

Ajo gjithashtu nuk beson se zgjedhjet e reja do të ishin një epilog real i krizës aktuale të Qeverisë.

“Unë nuk besoj se ky konflikt mund të shkaktojë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Unë mendoj se kjo përmbysje e dhimbshme e aktorëve politikë do të intensifikohet, gjë që nuk do të jetë në favor të interesit publik dhe temave që tani kanë përparësi: shëndetësia, ekonomia, sundimi i ligjit”, thotë Ulareviq.

Kur do të votohet për shkarkimin e Leposaviqit?

Krivokapiq paralajmëroi se do t’ia dërgojë Kuvendit të Malit të Zi kërkesën për shkarkimin e Leposaviqit, por nuk ka asnjë afat ligjor, brenda të cilit kjo pikë duhet të jetë në rendin e ditës.

Dragan Shoq thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetari i Parlamentit vendos se kur kjo pikë do të jetë në rend të ditës.

“Për mua është logjike që kjo të trajtohet me prioritet, sepse bëhet fjalë për Qeverinë, por nuk ekziston afat”, thotë ai.

Nëse ministri Leposaviq hiqet dhe Parlamenti nuk e mbështet zgjedhjen e një kandidati të ri, Shoq thotë se në atë rast, pozita e lirë do të mbushej nga njëri prej ministrave ose kryeministri.

Fronti Demokratik dhe Demokratët thanë se nuk do ta mbështesin shkarkimin e ministrit, çfarë do të thotë se 37 deputetë të shumicës aktuale parlamentare janë kundër.

Si justifikim, Fronti Demokratik tha se pikëpamjet e Leposaviqit ndahen nga të gjithë serbët në Mal të Zi.

“Derisa të ketë deputetë të Frontit Demokratik, Leposaviq nuk do të shkarkohet për shkak të qëndrimeve që ndan secili serb në Mal të Zi”, tha Sllaven Radunoviq nga ky subjekt politik.

Për Demokratët, votimi për heqjen e Leposaviqit është problem, “përveç nëse është marrëveshje e shumicës parlamentare”. Dhe, është e qartë që marrëveshja nuk ekziston, për shkak të kundërshtimit të Frontit Demokratik.

Vetëm URA, me katër deputetë, mendon se ata që “nuk e kuptojnë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid, nuk kanë vend në funksionet e shtetit”.

Nga 40 deputetët e opozitës, për largimin e Leposaviqit tashmë janë deklaruar: Partia Social-Demokrate, Social-Demokratët, Boshnjakët dhe Partia Liberale – gjithsej 9 deputetë.

Një qëndrim i tillë pritet edhe nga 29 deputetët e Partisë Demokratike të Socialistëve, që kanë kërkuar largimin e Leposaviqit, si dhe nga dy përfaqësuesit e partive shqiptare.

Aritmetika parlamentare tregon se opsioni i vetëm për shkarkimin mund të jenë votat e opozitës, së bashku me votat e partisë në pushtet – URA.

Vetë Leposaviq nuk është deklaruar në lidhje me kërkesën për shkarkimin e tij.

Krivokapiq tha se Leposaviq do të qëndrojë në pozitën e ministrit deri në zgjedhjen e një të riu, sepse “dëshiron ta vazhdojë kryerjen e këtij funksioni”.

“Kjo është e drejta e tij derisa të shkarkohet”, tha Krivokapiq.

“Kosova është zemra e Serbisë”

Qindra qytetarë në Podgoricë, Nikshiq, Tivar, Berane dhe qytete të tjera të Malit të Zi protestuan pas vendimit të kryeministrit për të iniciuar shkarkimin e Leposaviqit.

Të mbledhur para ndërtesës së Qeverisë në Podgoricë, ata brohorisnin: “Kosova është zemra e Serbisë”, “Tradhti, tradhti”, “Ne nuk do t’i japim të shenjtët”, “Ju na tradhtuat”.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Podgoricë: Njerëz me flamuj të Serbisë protestojnë kundër shkarkimit të mundshëm të ministrit të Drejtësisë në Mal të Zi, Vlladimir Leposaviq.

Ata mohuan gjenocidin në Srebrenicë me pankartën: “Për shkak të Srebrenicës, një serb po hiqet nga zyra, mos harroni se nuk kishte gjenocid”.

Të tubuarit gjithashtu fyen kryetarin e Kuvendit malazez, Alleksa Beçiq, duke thënë se ai ka bërë tradhti, pasi i ka uruar Glauk Konjufcës zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës dhe ka thënë se Prishtina mund të llogarisë në ndihmën e Podgoricës.

Urimi u publikua në ueb-faqen e Parlamentit të Kosovës më 2 prill, ndërsa te publiku malazez arriti përmes mediave serbe, të cilat e vlerësuan si “tradhti” dhe “turp”.

Përgatiti: Valona Tela

Iniciohet shkarkimi i ministrit malazez për shkak të deklaratës për Srebrenicën

Ministri i Drejtësisë i Malit të Zi, Vladimir Leposaviq (në mes).

 

 

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, propozoi shkarkimin e ministrit të Drejtësisë në këtë vend, Vladimir Leposaviq, për shkak të qëndrimit të tij ndaj gjenocidit në Srebrenicë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, Krivokapiq tha se e ka dërguar këtë propozim në Parlamentin e Malit të Zi.

Gjatë një seance parlamentare më 26 mars, Leposaviq ka thënë se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Me këtë deklaratë, ai ka sfiduar edhe legjitimitetin e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, e cila ka konstatuar se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

“Pas deklaratës së diskutueshme i kam dërguar një mesazh, që ai duhet të nxirret vetë nga ajo që ka gatuar vetë. Kam menduar se deklarata e tij do të ishte e atillë që të amortizonte atë që është thënë, por ajo ka mbetur me prapavijën e njëjtë”, tha Krivokapiq, duke aluduar në deklaratën e dytë të Leposaviqit, që ka bërë tre ditë më vonë, duke shprehur të njëjtat pikëpamje.

Deklarata e Leposaviqit ka nxitur reagime të shumta nga publiku vendas dhe ndërkombëtar, që ka kërkuar dorëheqjen e tij. Po ashtu ka pasur thirrje për reagim të prokurorisë.

Kryeministri Krivokapiq tha se detyrim i Leposaviqit ka qenë që t’i përgjigjej pyetjes parlamentare rreth Srebrenicës në frymën e politikës së Qeverisë, e jo në frymën e debatit akademik.

“I kam kërkuar dorëheqjen sepse është më mirë që me një akt personal, të tregojmë përgjegjësi. Këtë e kam bërë të premten edhe sot”, tha Krivokapiq.

“Meqenëse Leposaviq ka mbajtur pozicionin e tij, unë kam propozuar shkarkimin e një anëtari të Qeverisë, në këtë rast të ministrit Leposaviq”, tha Krivokapiq, për të shtuar se është e papranueshme që ministri i Drejtësisë të shprehë pikëpamjet e tij private.

Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrimin në BE, duhet të jenë të gatshëm t’i respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës. rel

Krerët e Malit të Zi ftohen ta vizitojnë Srebrenicën: Ejani njoftohuni me faktet për gjenocidin

Bordi i Drejtorëve të Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës i ka ftuar krerët e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, Dritan Abazoviq dhe Vladimir Leposaviq, të shkojnë në Srebrenicë, transmeton Gazeta Express.

Ata janë të ftuar, siç thonë ata, të njihen me faktet për gjenocidin.

Deklarata e qendrës, cituar nga mediat e Sarajevës, thotë se deklaratat e fundit nga kryeministri të Malit të Zi, Krivokapiq, zëvendëskryeministri Abazoviq dhe ministri i Drejtësisë, Leposaviq, të cilat mohojnë gjenocidin, relativizojnë fakte të vërtetuara nga gjykata.

“Ato deklarata përfaqësojnë një goditje për sundimin e ligjit dhe procesin e pajtimit në rajon”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kjo qendër.

Krivokapiq, Abazoviq dhe Leposaviq u ftuan ta vizitojnë Qendrën Përkujtimore dhe për të bërë homazhe për viktimat.

“Këtu aata kanë një pasqyrë të drejtpërdrejtë në gjërat personale dhe historitë personale të të mbijetuarve të gjenocidit”, thuhet më tej në deklaratë.

Vendimet e gjykatave, thuhet në deklaratë, janë pika e fundit që një individ duhet të arrijë në mënyrë që të kuptojë që në Srebrenicë u krye gjenocid.

Vuçiq: Do të vazhdoj punën drejt delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar të premten se do të vazhdojë të punojë drejt “delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës”.

Vuçiq ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.

Presidenti serb e ka konsideruar raportin si “gënjeshtra të zhveshura”, duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë “humbur në kohë dhe hapësirë”.

“Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021,” u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.

Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.

Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për “fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”, Vuçiq tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës “për inat të Parlamentit Evropian”.

Duke komentuar pjesët e raportit të PE, i cili përmend “mungesën e pajisjeve mjekësore” për luftën kundër pandemisë së koronavirusit dhe ekspertizën e pamjaftueshme të mjekëve në Serbi, Vuçiq tha se deputetët evropianë “kanë thënë gjithçka vetëm për veten e tyre” kur kanë miratuar atë dokument .

“Ne testojmë më shumë sesa 80 për qind e vendeve të BE-së dhe ata na dënojnë”, ka deklaruar ai.

Në raport janë shprehur shqetësime edhe në lidhje me funksionimin e Parlamentit të ri të Serbisë, i cili nuk ka opozitë parlamentare.

Deputetët evropianë kanë përsëritur rëndësinë e përafrimit të Serbisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke pasur parasysh që shkalla e pajtueshmërisë së Serbisë aktualisht është më e ulëta në rajon.

Serbisë i janë kërkuar rezultate “bindëse”, duke përfshirë hetime efektive në fusha të rëndësishme si, gjyqësori, liria e shprehjes, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Mes tjerash është përmendur edhe se liria e medias po përkeqësohet dhe se përdorimi i gjuhës ofenduese, frikësimi dhe madje gjuha e urrejtjes po rritet ndaj anëtarëve të opozitës parlamentare, intelektualëve të pavarur, organizatave joqeveritare, gazetarëve, individëve me ndikim dhe anëtarëve të partive në pushtet.

Në mesin e çështjeve tjera, deputetët e PE-së kanë mirëpritur përparimin që Serbia ka bërë në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut dhe kanë inkurajuar Qeverinë serbe të ndjekë reformat strukturore në këtë fushë. rel

Protesta në Serbi kundër racizmit ndaj shqiptarëve: Të merren masa ndaj Vulinit

Lëvizja kundër dhunës, “Gratë në të zeza” ka mbajtur një aksion protestues me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Racizmit, duke dënuar gjuhën e urrejtjes, intolerancën dhe ksenofobinë kundër komunitetit shqiptar në Serbi, si dhe kundër shqiptarëve të Kosovës, tranmseton Gazeta Express.

Kryetarja e kësaj lëvizjeje, Stasha Zajoviq tha për televizionin N1 se përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Serbisë po fusin terma racistë dhe diskriminues në komunikimin zyrtar dhe se kjo legalizon gjuhën shoviniste dhe raciste të urrejtjes dhe shkel Kushtetutën e ligjet në fuqi.

Si një shembull i nxitjes së intolerancës racore dhe kombëtare, kjo lëvizje theksoi paraqitjet e ministrit serb të Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin, i cili përdor termin “Shiptari” sa herë që flet për shqiptarët.

“Gratë në të zeza” u bënë thirrje institucioneve kompetente të reagojnë dhe ta sanksionojnë Vulinin dhe të gjithë të tjerët që përhapin diskriminim racor.

Aksioni, i cili u zhvillua paqësisht, u sigurua nga anëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zaharieva: Bullgaria njeh vetëm identitetin e ri maqedonas

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.

 

Isuf Kadriu

“Qeveria në Shkup po përpiqet të mohojë historinë tonë të përbashkët dhe kjo është arsyeja pse kemi mosmarrëveshje bilaterale”. Kështu ka deklaruar ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva në një shkrim të saj për magazinën gjermane “Theeuropean.de.”

Zaharieva ka thënë se Bullgaria pranon vetëm se identitetin e ri maqedonas të formuar pas vitit 1945 ndërsa akuzoi drejtuesit e institucioneve të Shkup, për siç ka thënë “mohimin e historisë së përbashkët”.

“Një identitet i veçantë maqedonas u formua në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Bullgaria njeh këtë identitet të veçantë të Maqedonisë së Veriut dhe mbështet integrimin evropian. Heronjtë e zakonshëm kombëtarë, të tillë si Goce Dellçev, i cili si një maqedono-bullgar luftoi për pavarësi nga Perandoria Osmane në shekullin XIX, portretizohen vetëm si maqedonas. Versionet maqedonase të këngëve dhe romaneve të famshme bullgare janë rishkruar për të fshirë gjithçka bullgare në to. Një komision i përbashkët i historisë u krijua për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por rezultate konkrete ende nuk ka”, ka shkruar Zaharieva.

Zaharieva ka akuzuar Shkupin për mos zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë të nënshkruar në vitin 2017, pastaj për fyerje të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut por edhe për diskriminim të investitorëve bullgarë.

“Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët e ndjejnë veten si bullgarë, ngacmohen dhe dënohen, dhe adresat e tyre zbulohen në rrjetet sociale. Shkupi po shtyn gjithashtu projektet e transportit të infrastrukturës për korridoret e rëndësishme ekonomikisht të financuara nga BE. 130 milionë euro janë humbur tashmë për ndërtimin e autostradës A1 midis dy vendeve tona, sepse Shkupi injoron kërkesat për fonde të BE-së” ka deklaruar Zaharieva.

Shefja e diplomacisë bullgare ka thënë se Maqedonia e Veriut do të jetë në gjendje të fillojë negociatat me BE vetëm kur Shkupi dhe Sofja kapërcejnë çështjet e hapura bilaterale.

Sofje në nëntor të vitit të kaluar bllokoi kornizën e nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

“Shpresoj se Republika e Maqedonisë së Veriut së shpejti do të jetë në gjendje të fillojë negociatat. Por, që të ndodhë kjo, ne duhet të kapërcejmë çështjet e hapura bilaterale midis dy vendeve tona. Kolegët në Shkup duhet të tregojnë se janë të përkushtuar për një angazhim afatgjatë për të ardhmen e tyre evropiane duke përqafuar vlerat evropiane, siç bëri Bullgaria 14 vjet më parë,” ka theksuar Zaharieva.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut nuk lëkundet nga qëndrimet lidhur me kontestin me Bullgarinë, pavarësisht qëndrimeve tanimë të qarta të Brukselit mbi nevojën e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, në mënyrë që Shkupi të mund të nisë bisedimet për anëtarësim.

Nga qeveria thonë për Radion Evropa e Lirë, se Shkupi mbetet i hapur për negociata, por jo edhe për kushtëzime që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën dhe historinë maqedonase.

Serbisë dhe Malit të Zi u ofrohet rrugë më e shkurtër për në BE

Në Bashkimin Evropian janë duke vazhduar përgatitjet që Mali i Zi dhe Serbia të përfshihen në metodologjinë e re të zgjerimit të bllokut, që ishte miratuar në shkurt të vitit 2020.

Në një dokument të brendshëm, të përgatitur nga Komisioni Evropian për shtetet anëtare, janë paraqitur hapat përmes së cilave edhe Mali i Zi dhe Serbia do të përfshihen në këtë metodologji. Në parim, metodologjia e re aplikohet ndaj shteteve, të cilat, në kohën e miratimit të saj, nuk kishin nisur negociatat e anëtarësimit, në këtë rast Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Por, që prej se ishte miratuar kjo metodologji ishte thënë se edhe këto dy shtete mund të përfshihen në këtë metodologji të re “me kusht që edhe ato të pajtohen me këtë”.

Metodologjia e re e zgjerimit parasheh grupimin e disa kapitujve në një tërësi dhe hapjen dhe mbylljen e tyre në të njëjtën kohë. Po ashtu, parashihet edhe dinamizmi i kontakteve politike, por edhe fokusimi më i madh në kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.

Në këtë dokument po ashtu propozohet që Mali i Zi dhe Serbia nuk mund të mbyllin asnjë kapitull të ri negociues, nëse nuk vërtetohet se i kanë përmbushur të gjitha kushtet kalimtare nga kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të drejtat themelore dhe rendin e ligjin. Po ashtu, këta kapituj do të mbyllen vetëm në fund të procesit.

Edhe në këtë dokument, në rastin e Serbisë, përmendet kusht edhe progresi në normalizimin e raporteve me Kosovën, në kuadër të dialogut të cilin e lehtëson BE-ja.

“Në rastin e Serbisë, progresi në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve me Kosovën mbetet element kyç, në përputhje me kornizën negociuese për Serbinë”, thuhet në dokument.

Sipas metodologjisë së re, shtetet anëtare të BE-së do të kenë më shumë mundësi që të jenë të përfshira në monitorimin e procesit, duke përfshirë edhe kontributin e tyre në përmbajtjen e Raportit të Progresit si dhe në praninë e ekspertëve të shteteve anëtare në terren.

Po ashtu, do të ketë më shumë takime në nivel politik midis BE-së dhe vendeve kandidate, si përmes Këshillit për Stabilizim Asociim, ashtu edhe me takime së paku një herë në vit në nivel të konferencave ndërqeveritare. Rëndom, konferenca të tilla mes BE-së dhe një vendi që negocion për anëtarësim zhvillohen vetëm për të hapur apo mbyllur kapitujt negociues. Por, tani propozimi është që takime të tilla të mos varen vetëm nga hapja e kapitujve, por të jenë edhe një forum politik, ku mund të diskutohen prioritetet dhe dinamikat e procesit.

Me metodologjinë e re, përmes së cilës BE-ja dëshiron ta bëjë procesin shumë të parashikueshëm, janë paraparë edhe masat korrektuese dhe sanksionet në rast se Mali i Zi apo Serbia kanë ngecje apo kthim prapa në zbatimin e obligimeve në kapitujt negociues, sidomos në ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe fushën e drejtësisë.

Metodologjia e re ishte miratuar në BE me propozimin e Francës, që së bashku me Holandën kishin bllokuar vendimin për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të kësaj metodologjie, Këshilli kishte arritur të marrë pëlqimin e të 27 shteteve anëtare për të nisur negociatat me këto dy shtete. Por, për këto dy shtete ende nuk është miratuar korniza negociuese, pa të cilën, as Tirana dhe as Shkupi zyrtar nuk mund të nisin formalisht negociatat për anëtarësim në BE.

Mali i Zi dhe Serbia para disa vjetësh kanë nisur negociatat për anëtarësim dhe deri më tani, këto dy shtete kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

Mbështetësit e metodologjisë së re kanë argumentuar se qëllimi i saj është që nëse shtetet kandidate, vërtetë janë të gatshme që t’i përmbushin kushtet, do të përshpejtohet edhe procesi i negociatave të anëtarësimit. Prandaj, edhe kanë shprehur bindjen se Mali i Zi dhe Serbia do të jenë të interesuara që edhe ndaj tyre të përdoret kjo metodologji e re. rel

Vuçiq bisedon me Palmerin për çështjen e Kosovës, thotë se Serbia do të përpiqet të bëjë kompromis

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka biseduar sot përmes një video-lidhje me të dërguarin special të Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Në mesin e disa temave, Vuçiq dhe Palmer kanë diskutuar edhe për situatën e përgjithshme rajonale, shkruan danas.rs.
Vuçiq ka thënë se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi real dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

“Vuçiç posaçërisht theksoi se Serbia do të vazhdojë të përpiqet për arritjen e një kompromisi real dhe të qëndrueshëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Metohisë, duke mbrojtur interesat e serbëve atje, si dhe duke ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

Kroacia do të rrisë praninë ushtarake në Kosovë në misionin e NATO-s

Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq ka thënë të enjten në selinë e NATO-s në Bruksel se Koacia, në javët në vijim, do të rrisë numrin e pjesëtarëve të saj në misionin e KFOR-it në Kosovë.

Ai e ka bërë këtë njoftim në një konferencë për media pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Shefi i NATO-s e ka falënderuar Kroacinë, duke e quajtur “anëtare të rëndësishme të aleancës” për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre viteve për forcimin e sigurisë së përbashkët, përballjen me kërcënimet e sigurisë dhe për misionet e NATO-s nga Afganistani deri në Kosovë.

Kryeministri i Kroacisë ka thënë se Kroacia është e nderuar të jetë anëtare e NATO-s dhe të mund të japë kontribut.

“Ju përmendet Kosovën dhe praninë tonë. Në javët që vijnë do të rrisim praninë tonë në Kosovë”, ka thënë kryeministri i Kroacisë.

Edhe shefi i NATO-s dhe kryeministri kroat kanë thënë se lidhjet e forta transatlantike janë me rëndësi jetike për NATO-n.

Ata madje kanë paralajmëruar se këto lidhje do të forcohen këtë vit kur edhe do të zhvillohet një samit i NATO-s në Bruksel.

Kroacia ka përfunduar vitin e shkuar pjesëmarrjen e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Afganistan.

Që atëherë, Kroacia ka vendosur të shqyrtojë mundësinë e rritjes së kontributit të saj në misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë.

Sipas të dhënave të fundit të NATO-s Kroacia ka 37 pjesëtarë në misionin e KFOR-it nga rreth 3.500 pjesëtarë sa janë në këtë mision ushtarak.

Numrin më të madh të ushtarëve e kanë Shtetet e Bashkuara me 660 pjesëtarë, Italia me 542, Hungaria 397 dhe Austria 324.

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka nisur angazhimin në qershor të vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes tekniko-ushtarake mes NATO-s dhe Ushtrisë së atëhershme Jugosllave, me çka i është dhënë fund fushatës ajrore kundër forcave të udhëhequra nga ish-lideri Sllobodan Millosheviq. rel

“Kosova nuk është e jona”, kreu i Akademisë serbe merr përkrahje nga Bordi Ekzekutiv

“E drejta për mendim personal, si dhe shprehja e tij, nuk mund t’i mohohet askujt”, thuhet në njoftimin e Bordit Ekzekutiv të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, në të cilën theksohet se shumica dërrmuese e akademikëve “japin mbështetje të plotë për Kryesinë dhe Bordin Ekzekutiv të Akademisë”, përfshirë kryetarin Vladimir Kostiq, i cili tha se “Kosova s’është Serbi”, transmeton Gazeta Express.

Bordi Ekzekutiv i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve njoftoi se “në mes të sulmit ndaj kryetarit dhe anëtarëve individualë të Akademisë, organeve të saj drejtuese, si dhe Akademisë Serbe e Shkencave dhe Arteve si tërësi, të cilat këto ditë kanë pushtuar publikun, shumica dërrmuese e anëtarëve të Akademisë ndjejnë nevojën për të lajmëruar në departamentet e tyre lidhur me këtë rast”.
“Tekstet që pothuajse të gjitha departamentet i dërguan zyrtarisht Kryesisë dhe Bordit Ekzekutiv, dhe në disa raste të gjithë anëtarëve të Akademisë, janë të ndryshme në përmbajtje dhe ton, por emëruesit e tyre të përbashkët janë: 1. e drejta për mendim personal dhe shprehje, dhe 2. se është e papërshtatshme dhe e papranueshme t’u bësh thirrje anëtarëve të Akademisë të deklarojnë individualisht mbi parimin ‘po ose jo’ për pyetjen e shtruar nga vetë propozuesi i procedurës, por edhe për shkak të shoqatave të njohura politike dhe historike që ngre një kërkesë të tillë”, thuhet në një deklaratë nga Akademia.

Në deklaratë thuhet, ndër të tjera, se anëtarët e Akademisë për shumë vite ishin “plotësisht të lirë të shpreheshin në lidhje me problemin e Kosovës në mënyra të ndryshme”.

Bordi Ekzekutiv i SANU vëren se “shumica dërrmuese e akademikëve i kanë dhënë mbështetjen e tyre qartë Presidencës, Bordit Ekzekutiv dhe Presidentit të SANU për të vazhduar me punën e tyre”.

“Shkalla e kësaj mbështetje në mënyrë të konsiderueshme ngre kërkesat për veprim edhe më të përgjegjshëm, por gjithashtu tregon se atmosfera e krijuar në publik është e papranueshme që problemi i Kosovës është thyer kryesisht në Akademi, e cila duket se bëhet një paradigmë për gjithë këtë problem. Kjo thjesht nuk është e vërtetë: ky është një problem që as nuk u krijua me pjesëmarrjen e Akademisë, që as nuk u ftua ndonjëherë zyrtarisht të marrë pjesë në zgjidhjen e tij. Akademia nuk ka as mundësi zyrtare dhe as autorizime për ta bërë këtë”, thuhet në njoftimin e Bordit Ekzekutiv të Akademisë serbe.

Bordi Ekzekutiv i Akademisë së Serbisë thekson se “Akademia si institucion, duke përfshirë shumicën e instituteve të tij, për dekada, madje edhe sot, ofron dhe ofron materiale të mbledhura dhe të hulumtuara, kryesisht të dixhitalizuara, boton të dhëna, mendime dhe analiza bazuar në të vërtetën shkencore dhe artistike”.

Ky reagim vjen pas deklaratave të mëparshme të kryeakademikut serb, Vladimir Kostiq i cili kishte thënë s “dikush duhet t’u thotë këtyre njerëzve se Kosova nuk është më de facto ose de jure në duart tona” dhe se në këtë moment, “e vetmja mençuri politike është se si ta lësh Kosovën me dinjitet”.

Një grup prej 93 të quajtur intelektualë serbë i kishin dërguar një letër të hapur Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve duke kërkuar që kryetari i saj, Vladimir Kostiq të jepte dorëheqje lidhur me deklaratat e tij se “Kosova s’ka qenë dhe s’do të jetë e jona”.

Por në rrjedhën e kritikave e sulmeve të ashpra në drejtim të Kostiqit, atij i kishte dalë në krah politikani serb, Nebojsha Zelenoviq.

“Unë mbështes propozimin e kryetarit të Akademisë, Vladimir Kostiq, për fillimin e një debati serioz dhe efektiv për Kosovën. Kërkesa që Kostiq të largohet nga kreu i Akademisë është, në thelb, një ftesë për të shpëtuar nga realiteti dhe për t’iu dorëzuar fatit, të cilën nuk do ta ndikojmë” kishte shkruar Zelenoviq në Twitter.

Së fundmi, edhe historiani i njohur serb, Milan Protiq i doli në mbrojtje kryeakademikut serb, duke thënë se Kosova është e pavarur, pavarësisht nga fakti se nuk ka njohje të tërësishme ndërkombëtare e as vend në disa prej organizatave ndërkombëtare.


Send this to a friend