VOAL

VOAL

Sofje, nënshkruhet Protokolli midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

VOA

Ministrat e jashtëm të Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë e nënshkruan të dielën në Sofje, Protokollin e dytë midis dy vendeve fqinje përmes së cilit i mundësohet Maqedonisë së Veriut hapja e rrugës drejt negociatave me Bashkimin Evropian. Takimi vjen një ditë pas miratimit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut të propozimit francez. Protokolli është pjesë e Marrëveshjes për Fqinjësi të mirë midis dy vendeve të arritur në vitin 2017.

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se ky akt paraqet një shans historik që pas 17 vjetësh me status kandidat Maqedonia e Veriut fiton rastin t’i hapë që nga e marta bisedimet me BE-në me që do të pasonte fillimin e fazës së fundit të aderimit drejt BE-së.

“Shpresojmë që ky proces dypalësh i bashkëpunimit me Republikën e Bullgarisë dhe rruga e negociatave integruese me me BE-në do të mundësojnë një bashkëpunim më të ngushtë midis dy shteteve tona” tha zoti Osmani.

Ndërkohë, ministrja e jashtme bullgare Teodora Gençovska tha se është arritur përparim në të gjitha grupet sektoriale që janë pesë gjithsej në numër; Se ekspertët e Ministrisë së Jashtme bullgare janë të gasthëm të vazhdojnë punën me grupet e punës së Ministrisë së Jashtme maqedonase dhe se tani mbetet të zbatohet marrëveshja e arritur dhe për këtë, sipas saj, duhet një angazhim serioz nga të dy shtetet.

“Bullgaria, tha zonja Gençovska, është shteti që më fuqimisht e mbështet integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, teksa u uroi atyre sukses në këtë rrugë.

Megjithatë, Protokolli, përmbajtja e të clit ende nuk dihet, u tha se do të bëhej publik pas nënshkrimit të tij. Kjo do të sqaronte një sërë çështjesh të diskutuara si në qarqet politike por dhe më gjerë në Shkup lidhur me pretendimet se autoritetet maqedonase kanë bërë lëshime sa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas.

Zagrebi zyrtar i ndalon vizitën në Kroaci, presidentit serb

Mediat kroate raportuan sot se autoritetet vendase i mohuan presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, vizitën private që ai kishte planifikuar të mbante.

Sipas ‘Jutarnji list’, Vuçiç kishte planifikuar të vizitonte sot rajonet e Jasenovac dhe Pakrac, por autoritetet kroate nuk do ta lejojnë atë të hyjë në vend.

Vuçiq kontaktoi kreun e SDSS, Milorad Pupovac dhe i tha atij se po planifikonte një vizitë private në zonën përkujtimore ku vdiqën shumë serbë në Luftën e Dytë Botërore.

Gazeta shton se qeveria ka deklaruar jozyrtarisht se Vuçiq nuk respektoi asnjë protokoll dhe se donte të bënte gjithçka jashtë procedurave dhe rregullave të marrëdhënieve diplomatike dhe se donte të kalonte kufirin kroat me ekipet e tij televizive.

syri.net

U nis nga Serbia, rrëzohet dhe shpërthen në flakë avioni ukrainas me municione, humbin jetën 8 pasagjerë

Një avion mallrash, Antonov, e një linje ajrore ukrainase, u rrëzua mbrëmjen e së shtunës pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore.

Në bord ndodheshin tetë persona u bazuar në informacionet nga zjarrfikësit dhe televizioni shtetëror i Greqisë.
Nuk është ende e qartë se çfarë ngarkese kishte avioni, derisa autoritetet nisën hetimet në vendin e ngjarjes. “Ne po e trajtojmë ngarkesën si një material të rrezikshëm”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve, transmeton zougla.gr. Ndërkohë ka dyshime se bëhet fjalë për rreth 12 ton municione.

Sipas kësaj agjencie lajmesh, autoritetet greke të aviacionit civil njoftuan se avioni po fluturonte nga Serbia për në Jordani. Gjithashtu thuhet se avioni ishte i kompanisë Meridian. Sipas disa raporteve, piloti arriti t’i informonte autoritetet për një problem në njërin nga motorët e avionit. Atij, më pas, iu kërkua të aterojë në aeroportin e Selanikut ose Kavallës, raportojnë mediat.

Pasi mori drejtimin për në Kavallë, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit të këtij qyteti, tha Autoriteti i Aviacionit Civil grek. Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 – një sistem që gjurmon avionët në kohë reale.

“Një aeroplan mallrash Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës në Greqi, në rrugën nga Nishi për në Aman”, tha Flightradar.24. Vendasit raportuan se kishin parë një top zjarri. Shpërthimet shkaktuan spekulime mes banorëve dhe disa mediave greke se avioni transportonte eksploziv. Transmetuesi shtetëror, ERT, raportoi se ekspertët ushtarakë të eksplozivëve janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.bw

Inspektori që zbuloi se Vuçiq është i implikuar në drogë, mund të vritet

Maja Bjelos nga Forumi i Sigurisë në Beograd ka thënë se një inspektor policie në Serbi me emrin Slobodan Milenkovic ka zbuluar një rrjet të distribuimit të drogës që përfshin presidentin Vuçiq dhe vëllain e tij.

Sipas ekspertes së sigurisë, Bjelos, në Serbi po diskutohet ekzekutimi i mundëshmë i këtij inspektori policor, raporton Gazeta Express.

“Tema kryesore në Serbi është ekzekutimi i mundshëm i inspektorit të policisë i cili zbuloi se presidenti serb dhe vëllai i tij janë të përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike përmes një rrjeti qeveritar. ministra, oficerë të ushtrisë dhe inteligjencës dhe kriminelë”, ka shkruar ajo.

The main topic in #Serbia is the potential execution of the police inspector who discovered that the Serbian president and his brother are involved in the production & distribution of narcotics through a network of govt. ministers, military & intelligence officers, and criminals. pic.twitter.com/EQdmxQGvT2

— Maja Bjelos (@m_bjelos) July 15, 2022

Nis operimi i linjës së rregullt ajrore Pekin-Beograd

Avioni i kompanisë “Hainan Airlines” duke arritur nga Pekini në Beograd. 16 korrik 2022.

RFE/RL

Avioni i kompanisë “Hainan Airlines”, ka kryer fluturimin e parë nga Pekini në Beograd, duke ateruar në aeroportin “Nikola Tesla” në mëngjesin e së shtunës.

“Ky është fluturimi i parë direkt nga Kina në Serbi. Tash për tash, do të ketë fluturime një herë në javë dhe nga shtatori dhe tetori do të ketë dy fluturime brenda javës për në Kinë”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili doli në aeroportin e Beogradit “Nikola Tesla” për të mirëpritur avionin e parë të kësaj linje të re ajrore.

Vuçiq shtoi se fluturimi Beograd-Pekin zgjat nëntë orë e gjysmë dhe kjo linjë ajrore do të emërohet “Mihailo Pupin”.

Presidenti serb tha se kjo linjë e kësaj kompanie ajrore kineze do të tërheqë numër më të madh të turistëve dhe biznesmenëve të cilët do të vijnë në Serbi, teksa njoftoi po ashtu se një linjë për në Çikago do të nisë në një të ardhme të afërt.

Në aeroport për të mirëpritur avionin kinez doli edhe ambasadori i Kinës në Serbi, Chen Bo, ministri serb i Financave, Sinisha Mali, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Tomislav Momiroviq dhe drejtori i Air Serbia, Jirzhi Marek.

Avioni i kompanisë "Hainan Airlines" gjatë aterimit në Beograd.

Avioni i kompanisë “Hainan Airlines” gjatë aterimit në Beograd.

Avioni kompanisë “Hainan Airlines” do të kryejë fluturime Pekin-Beograd vetëm gjatë të shtunave.

Vuçiq, gjatë pritjes së avionit nga Pekini, tha se Qeveria e ardhshme do të ruajë miqësitë tradicionale serbe” dhe nuk do të jetë anti-ruse.

“Se çfarë lloji i qeverisë do të jetë, besoj se do të jetë një qeveri serbe, e cila do të punojë për anëtarësimin më të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian”, u tha Vuçiq gazetarëve në aeroportin “Nikola Tesla”.

Kur u pyet se si po shkojnë konsultimet për formimin e institucioneve të reja, Vuçiq tha se tashmë ka një “shumicë të paqartë” në Kuvendin e Serbisë, por shtoi se do të flasë për konsultimet kur ato të përfundojnë.

Shpallet si antikushtetues Ligji për mohimin e gjenocidit i Republikës Sërpska

Bosnje dhe Hercegovinë: Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të BiH, Mato Tadiq, President i Gjykatësve (në mes) dhe zvendës presidentët Mirsad Qeman (djathtas) dhe Miodrag Simoviq (majtas). Brçko, 15 korrik 2022.

RFE/RL

Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e ka shpallur antikushtetues Ligjin për moszbatimin e Vendimit të Përfaqësueses së Lartë në Republika Srpska i cili i referohet mohimit të gjenocidit në Srebrenicë dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës.

Kështu bëri të ditur Gjykata Kushtetuese të premten, më 15 korrik. Vendimi është marrë në bazë të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij ligji, e cila është dërguar nga shtatë delegatë në Këshillin e Popujve të Republika Sërpskas.

“Gjykata Kushtetuese është udhëhequr nga praktika e saj e mëparshme në disa raste të ngjashme, sepse përfaqësuesi i lartë ka vepruar si institucion legjislativ, duke zëvendësuar autoritetin kompetent, që në këtë rast është Asambleja Parlamentare e Bosnjës dhe Hercegovinës”, tha Mirsad Çeman, zv. kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Bosnje, në konferencën për gazetarët në rrethin Brçko.

Delegatët e paraqitën ankesën në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës pasi Gjykata Kushtetuese e Republikës Sërpska hodhi poshtë veton e Klubit Boshnjak në Këshillin e Popujve të RS-së për ligjin e miratuar në shtator të vitit të kaluar.

Këshilli për Mbrojtjen e Interesit Vital Kombëtar pranë Gjykatës Kushtetuese të RS vlerësoi në atë kohë se ligji nuk cenonte interesin kombëtar të popullit boshnjak.

Çka i parapriu vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës?

Në korrik të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e RS miratoi Ligjin për moszbatimin e ndryshimeve të imponuara në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës në procedurë urgjente dhe në një seancë të mbyllur.

Ishte përgjigja e partive politike në RS ndaj vendimit të ish-Përfaqësuesit të Lartë Valentin Inzko, me të cilin ai vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës disa ditë më parë.

U tha që institucionet e RS-së të mos bashkëpunojnë me organet kompetente të Bosnje në lidhje me zbatimin e vendimit të përfaqësuesit të lartë. Kjo u pasua nga një bllokadë njëmujore e institucioneve të Bosnjes nga përfaqësues të RS-ë, me një kërkesë për tërheqjen e vendimit të përfaqësuesit të lartë.

Vendimi i Inzkos ndryshoi nenin 145 a të Kodit Penal të Bosnjë-Hercegovinës, i cili parashikon një dënim me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet për këdo që publikisht miraton, mohon, pakëson rëndë ose përpiqet të justifikojë krimin e gjenocidit, krimit kundër njerëzimit. ose krim lufte i përcaktuar me aktgjykim të formës së prerë.

Sipas Zyrës së Prokurorit të BeH, rreth 40 kallëzime janë paraqitur kundër qytetarëve dhe zyrtarëve në më pak se një vit nga fillimi i ndalimit të mohimit të gjenocidit.

Deri më tani nuk është ngritur aktakuzë, ndërsa nga Prokuroria thonë se “po punojnë sipas rasteve të konstatuara”, dhe se kërkohen kontrolle shtesë për shkak se kallëzimet nuk janë dorëzuar nga institucionet kompetente, por nga individë dhe organizata joqeveritare.

Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës së BeH-së, është mes atyre të regjistruar për mohimin e gjenocidit.

Më 11 korrik, Srebrenica shënoi 27 vjetorin e gjenocidit të kryer nga forcat serbe në atë vend në vitin 1995, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.

Nisin konsultimet për Qeverinë e re, Vuçiq takon Shaip Kamberin

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nisur konsultimet për mandatin e Qeverisë së re me një takim me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili është përfaqësues i Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës.

Ky koalicion do të ketë një mandat në Kuvendin e Serbisë.

Kamberi ka thënë se kërkon integrimin e shqiptarëve dhe se pjesëmarrja në Qeverinë e Serbisë nuk është prioritet i tyre.

“Zbatim të marrëveshjeve për Luginën, ndryshim të ligjeve për pakicat dhe fond për zhvillim”, ishin kërkesat që sot ia dorëzuam presidentit Vuçiq, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai ka thënë se prioritet i koalicionit është integrimi në institucionet publike, ato në nivel lokal dhe regjional, ndalimi i pasivizimit të adresave, fondi zhvillimor për Luginën dhe ndryshimi i Ligjit për flamurin.

Në prononcimet e mëparshme për media, Kamberi ka thënë se në bisedë do të insistojë në zbatimin e “Planit shtatëpikësh”, që u miratua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013, dhe ku përmenden probleme të shumta me të cilat përballet pakica kombëtare shqiptare në Serbi, si integrimi ekonomik i shqiptarëve, njohja e diplomave, mospërdorimi i shprehjeve fyese ndaj tyre.

Pas largimit nga Presidenca e Serbisë, Kamberi u tha gazetarëve se shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ende nuk janë integruar as në nivel lokal të institucioneve shtetërore e as në rajon.

“Kërkesa jonë është që integrimet të fillojnë nga fundi dhe jo nga maja e Qeverisë”, ka thënë Kamberi, përcjell agjencia Beta.

Presidenti i Serbisë gjatë ditës është paraparë të takohet me përfaqësuesit e listave të pakicave që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Serbisë – mes tyre lista “Së bashku për Vojvodinë – Vojvodinë” dhe listën “Amaneti i Myftiut – Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit”, e udhëhequr nga Usama Zukorliq.

Sot në takim ka qenë i ftuar edhe përfaqësuesi i partisë boshnjake, SDA – Sanxhak, Sulejman Uglanin, por kjo parti ka vendosur që të mos i përgjigjet ftesës, raporton portali N1.

Vuçiq do të vazhdojë konsultimet edhe në tri ditët e ardhshme.

Siç ka raportuar gazeta e përditshme “Danas” më 10 korrik, partitë nga lista e Bashkuar për Fitoren e Serbisë nuk janë të bashkuara për të shkuar te presidenti serb për konsultime për qeverinë e ardhshme.

Më herët kryetari i Partisë Popullore, Vuk Jeremiq, ka bërë të ditur se partia nuk do të shkojë në konsultime me kryetarin e shtetit dhe të Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiq.

Në zgjedhjet e 3 prillit, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi me shumë vota si në zgjedhjet presidenciale ashtu edhe në ato parlamentare.

Por për herë të parë nuk do të kenë deputetë të mjaftueshëm për të formuar vetë shumicën në Kuvend, për këtë arsye detyrohen ta bëjnë atë në koalicion me njërën nga partitë e tjera.

Shtetet e Evropës Qendrore kërkojnë që Bosnjës t’i jepet statusi i kandidatit

RFE/RL

Pesë shtete të Evropës Qendrore, që të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian, i bën thirrje bllokut që t’i japë statusin e shtetit kandidat Bosnjë e Hercegovinës.

“Bëhet fjalë për një sinjal nga qeveritë tonë se Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për BE-në”, tha më 13 korrik në Budapest, ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Ministrat e Jashtëm të grupit të quajtur C5 – Austria, Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia – kërkuan që në samitin e radhës së BE-së, që do të mbahet në tetor, çështja e statusit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën të jetë në agjendë.

Në qershor, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Bosnjë e Hercegovina, shtet që ende vuan nga efektet e luftës së viteve 1992-95, nuk u përfshi në marrjen e statusit gjatë samitit të qershorit.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova nuk kanë status të kandidatit.

Në fund të qershorit, liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit u ankuan për mungesën e përparimit në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në BE, para se blloku të merrte vendim për dhënien e statusit për Moldavinë dhe Ukrainën.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte mirëpritur dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, por kishte theksuar se këto dy shtete nuk duhet të kenë iluzione.

Ai kishte theksuar se Shqipëria dhe shtetet e tjera të Ballkanit për vite me radhë kanë statusin e kandidatit. Maqedonia e Veriut e ka marrë statusin më 2005 dhe Shqipëria më 2014.

Rama dhe pesë liderët e tjetër të Ballkanit që po kërkojnë anëtarësimin në BE, u takuan me liderët e BE-së për katër orë para njoftimit për dhënien e statusit për Ukrainën dhe Moldavinë.

Kroacia: nga 1 janari hyn në fuqi euro

VOAL- Kroacia ka arritur të martën “një nga objektivat e saj strategjikë kombëtarë dhe nga 1 janari 2023 prezanton euron”. Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç e shkroi atë në Twitter pasi Ecofin miratoi aktet e fundit të nevojshme në orët e para të pasdites për të lejuar vendin të hyjë në eurozonë më 1 janar.

“Euro do të lejojë ekonominë tonë – vazhdon Plenković – të jetë më elastike dhe në afat të gjatë do të rrisë standardin e jetesës së qytetarëve tanë”. “Të jesh anëtare e eurozonës i garanton edhe Kroacisë një siguri më të madhe në krizë”, përfundoi kryeministri.

Kursi i konvertimit është vendosur në 7,53450 kuna kroate për 1 euro dhe nga shtatori të gjitha çmimet duhet të shfaqen në të dyja monedhat. Periudha e tranzicionit, gjatë së cilës do të jetë e mundur të paguhet me para në dorë si në kuna ashtu edhe në euro, do të zgjasë nga 1 janari deri më 14 janar 2023. rsi-eb

Abazoviq kërkon falje për deklaratën për gjenocidin në Srebrenicë

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë adresimit në Potoçari të Srebrenicës.

RFE/RL

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se deklarata e tij në 27-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë ishte “e paqartë” dhe u kërkoi falje familjarëve të viktimave.

“U kërkoj falje nënave të Srebrenicës për mendimin e shprehur në mënyrë të paqartë. Dihet se çdo vepër varet nga qëllimi i saj. Qëllimi im është paqja. Gjenocidi i kryer kundër boshnjakëve në Srebrenicë të mos përsëritet ndaj askujt”, shkroi ai në Telegram.

Kjo kërkim-falje vjen pasi familjarët e viktimave të gjenocidit, shoqatat dhe përfaqësuesit e partive politike në Mal të Zi, thanë se Abazoviq relativizoi gjenocidin në Srebrenicë.

“Gjenocidi nuk u krye kundër boshnjakëve, por kundër njerëzve, dhe nuk u krye nga ushtritë, por nga politikanët, politika e së keqes, politika e vdekjes dhe politika e mashtrimit”, tha Abazoviq, në përkujtim të 27-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve në Srebrenicë.

Pas kësaj deklarate, familjarët viktimave dhe shoqatat i kërkuan Abazoviqit që të kërkojë falje sepse definicioni i gjenocidit thotë se ai përbën “synimin për të shkatërruar plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Më herët gjatë 11 korrikut, shoqata “Nënat e Srebrenicës” tha se Abazoviq duhet t’iu kërkojë falje të gjithë viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.

“Fëmijët tanë u vranë vetëm sepse ishin boshnjakë, ata u vranë nga një ushtri e organizuar. Në Potoçari nuk ka vend për relativizim të krimit”, tha kjo shoqatë përmes Twitterit.

Qendra Memoriale e Srebrenicës e falënderoi Abazoviqin, por gjithashtu kërkoi nga ai që të lexojë vendimet e gjykatave ndërkombëtare.

“Megjithatë, ndaj boshnjakëve u krye gjenocid – sepse motivi i vrasjeve nuk ishte ‘vrasja e njerëzve’, por vrasja dhe shkatërrimi i një popullo. Këtë ju mësojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare. Lexoni ato”, shkroi kjo qendër në Twitter.

Reagime për deklaratën e Abazoviqit ka pasur edhe nga Mali i Zi, përkatësisht nga Partia Socialdemokrate, subjekt që është pjesë e Qeverisë së pakicës së Abazoviqit.

“Kryeministri i Malit të Zi po e relativizon gjenocidin në Srebrenicë? Turp për ty Dritan”, ka shkruar deputetja e kësaj partie, Draginja Vuksanoviq-Stankoviq.

Në 27-vjetorin e Masakrës në Srebrenicë, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari u varrosën eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit që janë identifikuar së voni.

Forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë gjatë luftës së viteve ’90.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Zhbllokimi i negociatave, Kryeministri bullgar: Maqedonia e Veriut ta pranojë propozimin francez

Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov tha të dielën se propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht i mirë për Sofjen.

Petkov në një intervistë për televizionin bullgar, BTV tha se “për Maqedoninë e Veriut për momentin është shumë e vështirë të pranohen ato pozicione”, por sipas tij “ky vend duhet ta bëjë këtë dhe të zgjedhë rrugën evropiane”.

Ai tha se “do të ishte e tmerrshme nëse Shqipëria vazhdon procesin e anëtarësimit në BE dhe Maqedonia e Veriut mbetet jashtë saj”, njofton Radio Evropa e Lirë.

“Në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojnë se nëse duan të zhvillohen, rruga evropiane është e vetmja rrugë për atë vend”, ka deklaruar Petkov.

Propozimi francez për fillimin e negociatave me BE-në pritet të shqyrtohet javën e ardhshme nga deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha të premten, më 8 korrik, se në koordinimin e rregullt të së hënës në Kuvend, duhet të diskutohet se kur mund të mbahet seancë plenare për informimin e qeverisë për propozimin e kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Më 30 qershor, qeveria publikoi propozimin francez për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i përbërë nga tre dokumente, pas së cilës filluan protestat në Shkup ku morën pjesë mijëra qytetarë nën moton “Stop bullgarizimit të Maqedonisë”.

Protestat janë bërë nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, të cilat propozimin e vlerësojnë të dëmshëm për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Partitë në pushtet kanë thënë se ky është propozimi më i mirë që garanton gjuhën maqedonase sikur edhe identitetin dhe të kaluarën historike andej edhe duhet të pranohet që Maqedonia e Veriut të mos lëshoj mundësinë për zhbllokimin e procesit integrues.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie Byrnes, të premten përmes një letre të hapur drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, ka bërë thirrje që të pranohet propozimin e Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, gjë që do t’i hapte derën integrimit evropian.

Mesazh të njëjtë ka drejtuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Ai tha të enjten se “propozimi francez nuk është i përsosur”, por se e fut vendin në Bashkimin Evropian.

Partia e presidentit Gjukanoviq tërheq mbështetjen për qeverinë e kryeministrit Abazoviq

VOA/Ali Salaj

Partia Demokratike Socialiste (PDS) e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, të dielën bëri të ditur se qeveria e pakicës e kryeministrit Dritan Abazoviq e ka humbur mbështetjen e kësaj partie për shkak të votimit pro-marrëveshjes bazë me Kishën Ortodokse Serbe.

“Qeveria ka humbur mbështetjen tonë për shkak të braktisjes së agjendës evropiane. Mbetemi absolutisht të përkushtuar ndaj proceseve politike që çojnë në anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian”, njoftoi Partia Demokratike e Socialistëve pas seancës së kryesisë.

PDS-ja u shpreh se qeveria kishte ndryshuar kursin politik dhe “me nxitim, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa konsultim me publikun profesionist lidhi kontratën me Kishën Ortodokse Serbe, gjë që i shkaktoi dëme të pallogaritshme interesave shtetërore të Mali i Zi “.

Partia e cila numëron 30 deputetë në Parlamentin e Malit të Zi dhe nga mbështetje e së cilës u bë e mundur qeveria e pakicës e drejtuar nga zotit Abazoviq, tha se çështja e marrëveshjes është e një rëndësie kombëtare dhe nuk mund të kalohet pa një “përgjigje adekuate dhe të qartë politike”.

Kryeministri Dritan Abazoviq, reagoi, duke vlerësuar se qëndrimi i shumicës do të jetë përcaktuese për të ardhmen e qeverisë.

“E mirëpres vendimin e kryesisë së PDS-së. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara . Krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë”, tha Abazoviq në një postim në Twitter.

Shumica e ministrave të pranishëm në mbledhjen e qeverisë të premten votoi pro marrëveshjes së propozuar për marrëveshjen bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Trembëdhjetë ministra votuan pro, pesë kundër, kurse tre ministra tjerë nuk morën pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Mosmarrëveshjet mes shtetit të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe filluan që në vitin 2006 me pavarësinë e këtij shteti. Kisha Ortodokse Serbe, sipas analistëve, mbetet nën ndikimin e politikës së Beogradit dhe të Moskës.

Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshirë organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në vitin 2020.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që përsëri e kanë përfshirë shtetin e vogël ballkanik.

Në anën tjetër kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje bazë” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Qeveria e pakicës e kryesuar nga Dritan Abazoviqit u formua më 28 prill të këtij viti, pasi në shkurt të po këtij viti u rrëzua qeveria e mëparshme e Zdravko Krivokapiqit me nismën e Abazoviqit, i cili ishte zëvendëskryeministër në atë ekzekutiv.

Partia e presidentit Gjukanoviq në parlamentin e Malit të Zi ka 30 deputetë dhe është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës pa pjesëmarrjen në të.

Bundestagu me rezolutë: Veprime shkatërruese të Dodikut dhe Çoviqit ndaj Bosnjë e Hercegovinës

RFE/RL

Të premten, më 8 qershor, Parlamenti gjerman (Bundestag) miratoi një rezolutë për Bosnjë e Hercegovinën (BeH), në të cilën theksohet se “veprimet e Milorad Dodikut dhe Dragan Çoviqit janë të dizajnuara për të shkatërruar Bosnjë e Hercegovinën, si një shtet dhe shtëpi e popullatës së shumëllojshme”.

“Kjo është e papranueshme dhe kërkon rezistencë të vendosur dhe të fortë nga Bashkimi Evropian, shtetet e tij anëtare dhe komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në rezolutë, e cila kërkon vendosjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër atyre që minojnë Bosnjë e Hercegovinën.

U theksua se “veprimet e politikanëve nacionalistë”, të Dodikut, i cili është anëtar i presidencës shtetërore dhe lider i Lidhjes së Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) në pushtet, si dhe Çoviq, presidenti i Bashkësisë Demokratike Kroate të Bosnjë e Hercegovinës (HDZ), janë “kërcënim për paqen në Evropën Juglindore”.

Ndër të tjera, përfaqësuesit gjermanë i bëjnë thirrje qeverisë federale që “të thërrasë me vendosmëri lidershipin politik të Bosnjë e Hercegovinës që të eliminojë përshkallëzimin dhe të ulë tensionet e brendshme”.

Udhëheqësi i serbëve, Dodik, që është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e territorit. Që nga vjeshta, ky entitet ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Mbi 200 ligje dhe akte ligjore janë pezulluar. Entiteti do, po ashtu, që të krijojë ushtrinë e tij dhe të pushojë së njohuri juridiksionin e gjyqësorit kombëtar dhe të autoritetit tatimor.

SHBA-ja, në muajin janar, e ka sanksionuar Dodikun, pasi e ka akuzuar për kërcënim të satibilitetit të rajonit.

Nis Marshi i Paqes në kujtim të viktimave të Srebrenicës

Marshi i Paqes në Bosnje e Hercegovinë, 8 korrik 2022.

RFE/RL

Në Bosnje e Hercegovinë nisi të premten Marshi i përvitshëm i Paqes, në kujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës.

Gjatë tri ditëve të ardhshme, pjesëmarrësit do të përshkojnë rrugën që mijëra qytetarë të Srebrenicës kanë kaluar në verën e vitit 1995, në përpjekje për të shpëtuar nga forcat serbe.

Pas një rrugëtimi prej rreth 110 kilometrash, që nisi nga fshati Nezuk, ata do të arrijnë në Qendrën Përkujtimore Potoçari, ku më 11 korrik shënohet 27-vjetori i masakrës.

Atë ditë do të rivarrosen mbetjet e 50 viktimave të masakrës, të gjetura së voni.

Qendra përkujtimore Potoçari, ku janë të varrosura viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Qendra përkujtimore Potoçari, ku janë të varrosura viktimat e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Problemet ekonomike i detyrojnë mjekët turq të largohen nga vendi

VOA/Marrë nga Associated Press

Qindra mjekë turq po largohen nga vendi me shpresën për të gjetur kushte më të mira pune e cilësi jetese, ndërsa Turqia po përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe kur norma vjetore e inflacionit ka arritur në rreth 80%, niveli më i lartë i 25 viteve të fundit. Mjekët thonë se janë të lodhur me pagat minimale dhe kushtet e vështira të punës, ku nuk mungojnë edhe rastet e dhunës ndaj tyre.

Në vitin 2021, më shumë se 1000 mjekë kërkuar nga Shoqata e Mjekëve Turq t’i pajisë me dokumenta që tregojnë se ata janë të liçensuar e paguajnë rregullisht detyrimet ndaj shtetit, në mënyrë që të ishin në gjendje të ushtronin profesionin e tyre jashtë Turqisë.

Doktor Tahsin Cinar, i cili punon si anestezist në një spital universitar, është vetëm një nga mijëra të mërzitur me kushtet me të cilat ballafaqohet një profesionist i kësaj fushe në Turqi.

Ai thotë se të jesh mjek, është bërë një nga punët më të vështira dhe një nga arsyet janë pagat e ulta. Zoti Cinar thotë se disa nga kolegët e tij po ndjekin kurse të gjuhës gjermane për të punuar në këtë vend. Ai shton se në Turqi po ndodhte fenomeni i ashtuquajtur “ikje e trurit”, largimi në masë i profesionistëve.

Të jesh mjek është padyshim një nga profesionet më të vështira në Turqi. Mjekët po fitojnë nën kufirin e varfërisë dhe kjo nuk mjafton as për të mbuluar qiranë e një shtëpie në Stamboll. Ne po përpiqemi të mbijetojmë duke marrë më shumë turne nate“, thotë ai.

Në mars, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se mjekët që donin të shkonin jashtë vendit, mund të largoheshin.

Më vonë, ai i zbuti tonet dhe tha se besonte se mjekët që ishin larguar do të ktheheshin në shtëpi sapo Turqia të premtonte një “të ardhme të ndritur”.

Dhuna ndaj profesionistëve të kujdesit shëndetësor ka qenë gjithashtu në rritje në Turqi, pikërisht në kohën kur punonjësit e mjekësisë po përballen me një lodhje të madhe, pas dy vitesh nën pandeminë e koronavirusit.

Shumë prej tyre presin të miratohen ligje që prashikojnë ndëshkime më të ashpra për ata që sulmojnë mjekët në detyrë, gjë që zoti Erdogan premtoi se do ta bëjë, gjatë një fjalimi në muajin mars.

Doktor Burak Acikgoz, një mjek turk që ka emigruar në Suedi nuk ishte nga ata që i vari shpresat tek qeveria. Ai u largua nga vendi tre vite më parë, menjëherë pasi u bë baba.

Kur bëhesh me fëmijë kupton se ka gjëra që i takojnë së ardhmes për të cilat duhet të shqetësohesh, ndaj gjëja më e përshtatshme ishte të largohesha nga vendi. Në në atë kohë ishte më të lehtë të shkoja në Suedi dhe kushtet që ofron ky vend ishin më të mirat, nga pikëpamja materiale dhe morale”.

Dr. Onur Naci Karahanci i Shoqatës së Mjekëve Turq thotë se vendet evropiane po i joshin mjekët me një cilësi më të mirë jete, duke afruar në këtë mënyrë nga pjesë të tjera të botës, profesionistët më të mirë të fushës, e që u kushtojnë atyre fare pak.

Ka një migrim më formal në Evropë dhe Evropa po përpiqet të zgjedhë më të mirën dhe më të lirën. Nëse duam të shohim arsyet që qëndrojnë pas këtij migrimi edhe pse mund ta përkufizojmë si diçka që lidhet me lirinë e lëvizjes, ajo ka të bëjë edhe me cilësinë e jetës mbi të gjitha“.

Ekonomisti dhe studiuesi Enes Ozkan i Universitetit të Stambollit thotë se inflacioni në rritje në Turqi është “i lidhur drejtpërdrejt me ikjen e trurit”.

Ne nuk po vërejmë një shkallë të lartë të ikjes së trurit nga vendet e tjera për shkak të inflacionit që po përjetohet në botë për momentin. Megjithatë, inflacioni në Turqi është shumë më i lartë se në çdo vend tjetër të botës dhe ajo çka po e përkeqson problemin në Turqi në fakt, janë politikat e këqija të qeverisë”.

Inflacioni vjetor në Turqi arriti në rreth 80% në muajin qershor, norma më e lartë që nga viti 1998, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të hënën nga Instituti turk i Statistikave (TurkStat).

Publikimi i shifrave vjen ndërsa vendi po përballet me një rritje të thellë të kostos së jetesës. Çmimet e konsumit janë rritur me 4.95% në baza mujore. Ndryshe nga ekspertët zoti Erdogan këmbëngul se kostoja e lartë e huamarrjes po shkakton rritjen e inflacionit, duke i mëshuar uljes së normave të interesit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe eksportet.

Parashutistë serbë në zonën kufitare me Kosovën?! KFOR e konfirmon: Ishte stërvitje e Forcave të Armatosura të Serbisë

Disa parashutistë nga Serbia thuhet të jenë lëshuar dy ditë më parë në zonën kufitare me Kosovën.

Në lidhje me këtë, kanë reaguar përfaqësues të KFOR, të cilët janë shprehur se sipas informacioneve të tyre, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar një stërvitje në zonën e Kragujevacit.

Më tej, KFOR-i thotë se stërvitja ishte paralajmëruar nga autoritetet serbe.

“Sipas informacioneve të KFOR-it, Forcat e Armatosura të Serbisë kanë zhvilluar një stërvitje në zonën e Kragujevacit brenda Zonës së Sigurisë Tokësore në anën serbe të vijës kufitare administrative, në periudhën 29 dhe 30 qershor”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv.

“Stërvitja është paralajmëruar nga autoritetet serbe në përputhje me procedurat ekzistuese”.

“KFOR-i mban një prani në të gjithë Kosovën dhe vazhdon të kryejë patrullime ditore, duke përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës, në respekt të plotë të mandatit të tij të OKB-së që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë popullin e Kosovës”. bw

Vuçiq: Dialog me Kosovën nuk ka

Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, 29 qershor 2022.

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht, nuk ka.

Ai i bëri komentet pas takimit në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiq tha se ka rënë dakord me të që mediave t’u drejtohet vetëm ai.

“Unë e informova [Lajçakun] se për çfarë dua të flas dhe se dua të tregoj të vërtetën për gjithçka që po ndodh… dhe se cilat janë qëllimet e fuqive perëndimore. Fjala e tij është e rëndësishme dhe nuk dua ta vë në një situatë të pakëndshme”, tha Vuçiq.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë”, tha Vuçiq, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mundësitë e ri-regjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS (Republika e Kosovës).

Ai tha se Kosova dhe Perëndimi “duan t’i bindin serbët që të regjistrohen me targat RKS”.

“Nëse nuk i bindin, atëherë do t’ua marrin veturat”, tha Vuçiq.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës miratoi edhe udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas udhëzimit, të gjithë personat që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Vuçiq tha se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur.

“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, tha ai.

Vuçiq, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.

“Pala tjetër nuk dëshiron zgjidhje kompromisi, por vetëm do që ne të pajtohemi me atë që ajo vendos”, tha Vuçiq, duke shtuar se Kosova e ka mbështetjen e Perëndimit për veprimet e saj.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor, ku ka thënë se është duke punuar në përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Deri më tash, Kurti dhe Vuçiq janë takuar vetëm dy herë, por pa bërë ndonjë përparim konkret në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky proces ka nisur qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Dodik merr ftesë nga Putin të vizitojë Moskën, një muaj para zgjedhjeve

Derisa ushtria ruse vazhdon bombardimin e qyteteve të Ukrainës – me intensitet të shtuar në lindje – presidenti rus, Vladimir Putin, ka gjetur kohë në agjendën e ngjeshur të luftës të takojë udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Dy zyrtarët janë takuar më 17 qershor, në margjina të një forumi në Shën Petersburg.

Putin ka thënë në takim se Rusia e vlerëson faktin që Republika Sërpska nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër shtetit rus.

“Fatkeqësisht, në rrethanat aktuale i kemi disa vështirësi për shkak të sanksioneve, por ne e dimë shumë mirë qëndrimin tuaj dhe e vlerësojmë shumë”, ka thënë Putin.

Vendet perëndimore, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Rusinë, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe atë diplomatik, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Ushtria ruse ka nisur sulmet kundër fqinjit të saj më 24 shkurt.

Në të njëjtën ditë ka dalë edhe lajmi se misioni paqeruajtës i Bashkimit Evropian në Bosnje, EUFOR, do të rrisë praninë nga 600 ushtarë në 1,100. EUFOR ka thënë përmes një deklarate se “përkeqësimi i situatës së sigurisë në rrafshin ndërkombëtar ka potencial për të përhapur destabilitet në Bosnje e Hercegovinë”.

“Pozicionimi i këtyre forcave është një masë paraprake për forcimin e stabilitetit në këtë vend”, ka thënë EUFOR.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg,ka përmendur në mënyrë eksplicite Bosnjën në disa diskutime për kërcënimet e mundshme. Në një adresim në fund të majit, Stoltenberg ka thënë se NATO-ja do ta ndihmojë Bosnjën në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes.

“Qëllimi është të parandalohet një jostabilitet i ri, një luftë e re”, ka thënë ai.

Sekretarja e jashtme britanike, Liz Truss, gjatë qëndrimit në Sarajevë, më 26 maj, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmojë trajnimin e ushtrisë së Bosnjës.

“Historia tragjike e këtij vendi na kujton atë që ndodh kur ne dështojmë të ngrihemi kundër agresionit… Ato që shohim sot në këtë vend, janë shenjat e ndërhyrjes ruse, të cilat rrezikojnë të na zhysin sërish në ato ditë të errëta. Kjo duhet të ndalet”, ka thënë Truss.

Bosnje e Hercegovina, qe pas përfundimit të luftës më 1995, është e ndarë në vija etnike: në Federatën Myslimane-Kroate në njërën anë dhe Republikën Sërpska, të banuar me shumicë serbe, në anën tjetër. Bashkëpunimi i tyre kurrë nuk ka qenë më i miri.

Udhëheqësi i serbëve, Dodik, që është edhe anëtar i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, ka disa muaj që ka intensifikuar përpjekjet për ndarjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e territorit. Që nga vjeshta, ky entitet ka bllokuar shumicën e institucioneve shtetërore të Bosnjës. Mbi 200 ligje dhe akte ligjore janë pezulluar. Entiteti do, po ashtu, që të krijojë ushtrinë e tij dhe të pushojë së njohuri juridiksionin e gjyqësorit kombëtar dhe të autoritetit tatimor.

Për këtë plan, analistët, por edhe disa zyrtarë thonë se Dodik ka bekimin e Rusisë. Dodik, i cili nuk e fsheh admirimin e tij për Putinin, ka thënë në fillim të qershorit se plani i tij për ndarjen e Republikës Sërpska është shtyrë për gjashtë muaj, për shkak të luftës në Ukrainë. Pjesën tjetër të Bosnjës, Dodik e quan “eksperiment të komunitetit ndërkombëtar” dhe “shtet të dështuar”.

Harun Karçiq, analist politik nga Sarajeva, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se përparimi i ngadalshëm i ushtrisë ruse në Ukrainë, është arsyeja e stepjes së Dodikut nga plani i ndarjes – së paku tash për tash.

“Sikur Kievi të kishte rënë dhe Rusia ta kishte marrë kontrollin e Ukrainës, ne këtu do të ishim në luftë tashmë. Unë jam i bindur se Dodik do ta kishte shpallur pavarësinë [e Republikës Sërpska] dhe Bosnja do të ishte përfshirë nga kaosi”, thotë Karçiq.

Zyrtarë amerikanë kanë paralajmëruar se, nëse Putin mbështetet për muri në Ukrainë, ai do të kërkojë vende të tjera për të provuar fitoren. Dhe një prej tyre mund të jetë Bosnja, ka thënë senatori demokrat, Chris Murphy, pas një vizite në Ballkan në fund të prillit.

Harun Karçiq, analisti nga Bosnja, shpjegon se përse ky vend mund të jetë domethënës për Rusinë:

“Bosnje e Hercegovina është interesante për Rusinë, sepse është e ndarë thellësisht. Republika Sërpska, e cila përbën 49 për qind të territorit, udhëhiqet nga pro-rusët; ndërsa pjesa tjetër [Federata Myslimane-Kroate] dëshiron fuqishëm t’i bashkohet NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Por, në interesin e Rusisë është që të parandalojë zgjerimin e aleancës së NATO-s dhe të BE-së dhe për këtë do t’i shfrytëzojë lojtarët dhe surrogatët e saj në Bosnje”.

Bosnje e Hercegovina i është bashkuar Partneritetit të NATO-s për Paqe në vitin 2006. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, zyrtarët në Sarajevë kanë kërkuar anëtarësim të përshpejtuar në NATO.

Ambasadori rus në Bosnje, Igor Kalabukhov, ka thënë se nëse Bosnja shkon në këtë drejtim, Rusia do të përgjigjet. Kalabukhov ka përmendur shembullin e Ukrainës, e cila ka aspiruar po ashtu anëtarësimin në NATO. Deklarata e tij është cilësuar si kërcënim i hapur edhe nga zyrtarët në Sarajevë, edhe jashtë saj.

I pyetur nëse paqja në Bosnje është në rrezik, Karçiq thotë se situata ka qenë më serioze në janar, kur Dodik ka filluar të jetësojë planin për ndarje dhe kur lufta në Ukrainë ka qenë pa nisur.

“Pas rritjes së numrit të ushtarëve të EUFOR-it, situata, në njëfarë mënyre, është vënë nën kontroll. Por, unë mendoj se EUFOR-i duhet ta rrisë edhe më shumë praninë – në së paku 5-6 mijë ushtarë – në mënyrë që të ketë kapacitet veprimi nëse Republika Sërpska merr hapa konkretë drejt ndarjes. Nuk duhet harruar se Republika Sërpska ka forca të armatosura policore, që brenda natës mund të shndërrohen në formacion ushtarak”, thotë Karçiq.

Toby Vogel, njohës i Ballkanit Perëndimor me seli në Bruksel, thotë se nuk beson se Rusia mund të ndezë konflikt në Bosnje, por, në të njëjtën kohë, ai tregon se nuk ka besuar se Rusia do të pushtojë Ukrainën.

“Ajo që mendoj se është rrezik i vërtetë, është se Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë Bosnjën edhe më shumë, përmes ndikimit te Millorad Dodik, lideri serb, dhe te Dragan Çoviq, lideri i partisë nacionaliste kroate. Në këtë mënyrë, pastaj, do të përpiqet ta turpërojë Perëndimin – në një vend ku BE-ja, NATO-ja, amerikanët, Britania, kanë investuar bashkërisht ndoshta më shumë se kudo tjetër”.

“Pra, nëse Rusia arrin ta prishë situatën atje, një gjë e tillë do të dërgonte një sinjal shumë të fortë – se Evropa nuk mund të mbajë rendin në oborrin e saj. Unë mendoj se kërcënimi rus është real, dhe jo vetëm për Bosnje e Hercegovinën, por për gjithë Ballkanin Perëndimor”, thotë Vogel.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s. Kosova ka prani të NATO-s në territorin e saj, ndërsa Serbia deklarohet neutrale ushtarakisht.

Asnjëri nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Ato ndodhen në faza të ndryshme të integrimit, ndërsa Kosova dhe Bosnja janë më së largu. Vendet e BE-së janë të ndara sa u përket hapave që duhen ndërmarrë për përafrimin e tyre. Disa, si Franca dhe Holanda, hezitojnë për arsye të ndryshme, të tjera, si Austria, thonë se gjashtë vendet duhet të integrohen sa më parë që është e mundur.

“Kjo do të ishte vetëmbrojtje” për BE-në, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg. Sipas tij, nëse konflikti zgjerohet nga Ukraina në vendet e ish-Jugosllavisë, ndikimet në Evropë do të ishin shkatërruese.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, ka thënë pas kthimit nga Rusia se ka marrë ftesë të re nga Putini për vizitë në shtator. Vizita, nëse ndodh, do të jetë një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje e Hercegovinë. Nëse do të ketë ndonjë ndikim ose jo, mbetet të shihet.

Në dy raste, më 2014 dhe 2018, Dodik dhe Putin janë takuar pak para zgjedhjeve të përgjithshme në Bosnje. Herën e parë, Dodik ka fituar garën për kryetar të entitetit Republika Sërpska, ndërsa herën e dytë ka fituar më së shumti vota për t’u bërë anëtar i Presidencës.

SHBA-ja, në muajin janar, e ka sanksionuar Dodikun, pasi e ka akuzuar për kërcënim të satibilitetit të rajonit. / REL

Rada Trajkoviçit i ndalohet largimi nga Serbia: Po mbahem ende në një bodrum këtu në aeroport, sikur të isha kriminele

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane nga Kosova, Rada Trajkoviç, më 24 qershor ka njoftuar se i është ndaluar të largohet nga Serbia dhe se policia e ka ndaluar në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit.

Siç ka bërë të ditur ajo në llogarinë e saj në Twitter, asaj i është “ndaluar të largohet nga vendi rrugës për në Podgoricë”.

“Sapo më është ndaluar të largohem nga vendi nga policia kufitare në ‘Nikola Tesla’. Nuk më dhanë arsye për ndalimin e daljes”, ka shkruar Trajkoviç në Twitter.

Në një postim të mëpasshëm në Twitter, ajo shkroi se ishte “në ambientet e policisë në aeroport, ku aktualisht po mbahet për intervistim”.

 

“Unë jam ende duke u mbajtur në një bodrum këtu në aeroport. Askush nuk më afrohet dhe nuk më jep shpjegim. Policia është rreth meje dhe më ruan sikur të isha krimineli më i madh dhe më famëkeq në Serbi. Mua, një mjeke dhe profesoreshë”, ka shkruar Trajkoviç.

 

Lidhur me ndalimin e Trajkoviçit, Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, por deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka kthyer përgjigje./REL

Sofja miratoi propozimin francez, Shkupi e refuzoi

Parlamenti bullgar në mbledhjen ku u votua propozimi francez për Maqedoninë e Veriut, 24 qershor 2022.

Isuf Kadriu

Parlamenti i Bullgarisë votoi të premten për heqjen e vetos që ka bllokuar prej kohësh bisedimet e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ky veprim ngjall shpresa të reja se blloku mund të vazhdojë me planet e tij për t’u zgjeruar në Ballkanin Perëndimor.

Vendimi u miratua me 170 vota për dhe 37 kundër në Parlamentin prej 240 anëtarësh, tha nënkryetari i këtij institucioni, Atanas Atanasov.

Sipas tij, 21 ligjvënës abstenuan.

Bullgaria ka përdorur veton kundër Maqedonisë së Veriut tash e dy vjet, për shkak të disa mosmarrëveshjeve rreth historisë dhe gjuhës.

Me votimin e së premtes, Parlamenti bullgar mbështeti të ashtuquajturin propozim francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Propozimi parasheh që Komisioni Evropian të jetë garantues i zbatimit të tij.

Sipas propozimit, Maqedonia e Veriut duhet t’i njohë bullgarët në preambulën e Kushtetutës së saj si një nga grupet etnike përbërëse të vendit.

Maqedonia e Veriut e ka bërë të qartë qysh në samitin e krerëve të BE-së, të enjten, se propozimi francez është “i papranueshëm”, pasi, siç ka thënë, nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase.

Sipas zyrtarëve në Shkup, pala bullgare ka ndryshuar tekstin e propozuar.

Ndryshimet thuhet se kanë të bëjnë me kërkesën për nënshkrimin e një protokolli mes dy vendeve, i cili do ta detyronte Shkupin të ndryshojë Kushtetutën dhe të përfshijë pakicën bullgare në të, përpara se të mbahet mbledhja e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Veç kësaj, Parlamenti i Bullgarisë ka përfshirë në tekst edhe garancitë që i kërkon nga Këshilli Evropian, sipas të cilave, ky i fundit, gjatë gjithë procesit të integrimit evropian, duhet ta njoftojë Sofjen me plotësimin e kushteve nga Maqedonia e Veriut.

Bullgaria, gjithashtu, ka përmirësuar draft-kornizën e propozuar, me kërkesën që “asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje e ekzistimit të gjuhës maqedonase nga Republika e Bullgarisë”.

Këto plotësime nuk janë pranuar nga Maqedonia e Veriut, duke thënë se ato do të nënkuptonin “rrënim të identitetit kombëtar”.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha të premten se i takon Presidencës franceze të vendosë lidhur me propozimin e saj dhe qëndrimet e dy shteteve që janë pjesë e kontestit.

Osmani, paraprakisht, falënderoi Presidencën franceze, e cila, sipas tij, “u tregua shumë e kujdesshme në formulimin e tekstit, duke i kushtuar vëmendje ndjeshmërisë së të dyja palëve”.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për BE tash e 17 vjet dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020.

Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare.

Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Fyerjet e Ramës- Bullgaria reagon ashpër: Rregullo gjuhën, politikanët largohen, kombet mbesin

Bullgaria reagon ashpër ndaj fyerjeve të shumta që lëshoi kryeministri Edi Rama një ditë më parë ndaj këtij vendi.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme, i kërkohet Edi Ramës që të rregullojë gjuhën e tij, pasi politikanët ikin, por kombet mbesin.

“Bullgaria ka qenë gjithmonë ndër ato shtete anëtare të Bashkimit Evropian që mbështesin përkatësinë evropiane të popullit shqiptar. Ne kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sot.

Ndër vite nuk ka pasur shumë zëra të tjerë me ne në këtë kauzë. Ne e mbrojmë atë sot, pavarësisht gjithçkaje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Si kundërpërgjigje, nuk është hera e parë që dëgjojmë kualifikime të paprovokuara të ashpra, fyese nga një kryetar qeverie. Gurët e tëmthit në një regjistër kaq të ulët gjuhësor nuk mund të justifikohen më nga natyra dhe mungesa e aftësive evropiane të komunikimit.

Presim që kryeministri shqiptar t’i përshtatë mjetet e tij shprehëse në një gjuhë që i përshtatet një politikani të një vendi kandidat për anëtarësim në BE,” thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Jashtme.

“Në këtë nivel, më shumë se çdo tjetër, ne insistojmë të mbajmë një ton të mirë komunikimi. Në këtë nivel kemi treguar gjithmonë gjithë respektin që kërkon një pozicion të përgjegjshëm dhe nivel të marrëdhënieve ndërshtetërore. Ne kemi një të ardhme të përbashkët me Shqipërinë.

Politikanët largohen. Kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, i cili nuk duhet të cenohet nga një gjykim i gabuar i politikanit. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes shteteve të bëhen peng i ekscentricitetit të kryeministrit aktual shqiptar,” deklaroi Ministria e Jashtme.

syri.net

Petkov mban fjalimin e fundit si kryeministër: Ishte nder të drejtoja një qeveri të rrëzuar nga ambasadori rus dhe Borisov

Pas vendimit të marrë nga 123 ligjvënës bullgarë për rrëzimit e qeverisë së kryeministrit Kiril Petkov, shefi i ekzekutivit tha se ky votim ishte vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë.

“Ishte nder për mua të drejtoja një qeveri që u rrëzua nga Peevski , Borisov , Trifonov dhe Mitrofanova (ambasadori i Rusisë në Bullgari).

Ky votim është vetëm një hap i vogël në një rrugë shumë të gjatë. Ajo që opozita nuk e kupton ishte se në këtë mënyrë nuk mund ta fitojnë popullin bullgar.

Unë premtoj se do të vazhdojmë këtë betejë për të fituar vendin tonë. Dhe një ditë do të kemi Bullgarinë pa njerëz të sunduar nga mafia, një vend normal, një vend të suksesshëm evropian. Faleminderit!”, tha Petkov në fjalimin e fundit si kryeministër. bw

Partia e Petkovit ka një shans të dytë për të propozuar një qeveri

RFE/RL

Qeveria gjashtëmujore e kryeministrit bullgar Kiril Petkov është rrëzuar në një votë mosbesimi lidhur me mosmarrëveshjet mbi ekonominë dhe nëse Sofja duhet të heqë dorë nga kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Partitë opozitare dhe partia ITN, një ish-aleate në koalicionin qeveritar të Petkov, u bashkuan për 123 vota kundër 116 votave që mbështesin qeverinë e Petkov.

Vota do të thotë se partia e qendrës e Petkovit, partia Vazhdo Ndryshimin (PP) ka një shans të dytë për të propozuar një qeveri.

Nëse dështon ta bëjë këtë, mund të bëhen edhe dy përpjekje të tjera nga partitë e tjera përpara se presidenti të emërojë një kabinet të përkohshëm dhe të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Këto do të ishin zgjedhjet e katërta parlamentare të Bullgarisë që nga prilli i vitit të kaluar.

Mocioni u propozua nga partia opozitare GERB e ish-kryeministrit konservator Bojko Borisov.

Petkov, një 42-vjeçar i diplomuar në Harvard, është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe ka marrë një qëndrim jashtëzakonisht të fortë kundër Rusisë, pavarësisht nga marrëdhëniet tradicionalisht miqësore të Sofjes me Moskën.

Petkov shkarkoi ministrin e tij të mbrojtjes në shkurt për refuzimin për ta quajtur “luftë” pushtimin rus të Ukrainës dhe mbështeti sanksionet e BE-së kundër Moskës.

ITN u largua nga koalicioni pasi akuzoi Petkovin për shpërfillje të interesave të Bullgarisë duke nxitur heqjen e vetos në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE nën presionin e aleatëve të saj në BE dhe NATO.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili vizitoi Bullgarinë në fillim të këtij muaji, i kërkoi Sofjes të hiqte dorë nga kundërshtimi i saj ndaj aspiratave të Maqedonisë së Veriut për në BE për një sere mosmarrëveshjesh gjuhësore dhe historike.

Bullgaria po përballet gjithashtu me inflacionin e lartë, i cili është rritur në nivelin më të lartë të 24 viteve muajin e kaluar, kur arriti në 15.6 për qind.

Sondazhet e reja ka të ngjarë të përfitojnë partinë GERB të Borisovit, si dhe partitë pro-ruse si Rilindja nacionaliste, pasi problemet ekonomike dhe lufta në Ukrainë polarizojnë shoqërinë.

Bie Qeveria bullgare, vetoja për negociatat ndaj Maqedonisë së Veriut mbetet në fuqi. E pëson edhe Shqipëria

Qeveria e kryeministrit bullgar Kiril Petkov humbi një votë mosbesimi të mërkurën, duke rritur mundësinë e trazirave më të thella politike në vendin ballkanik që mbajti tri zgjedhje të përgjithshme vitin e kaluar.

 

Rreth 123 ligjvënës nga 239 në Parlament votuan kundër qeverisë.

Petkov, i cili erdhi në pushtet vetëm gjashtë muaj më parë, u votua për një premtim për të luftuar korrupsionin e shfrenuar dhe e ka shtyrë Sofjen të marrë një linjë jashtëzakonisht të fortë kundër Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës.

Votimi i mosbesimit të mërkurën u përshpejtua nga politikani i kthyer në televizion, Slavi Trifonov, i cili e tërhoqi papritur partinë e tij “Ka një popull të tillë” nga një koalicion i brishtë qeverisës me katër parti. Trifonov thotë se ai ka mosmarrëveshje për buxhetin dhe akuzon Petkov se merrte një linjë shumë të butë për të lejuar Maqedoninë e Veriut të fillojë bisedimet e pranimit të BE -së.

Ndërkohë sot në mesditë, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, partia GERB e ish-kryeministrit bullgar, Boyko Borissov do të mbështeste propozimin e qeverisë së Kiril Petkovit për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut dhe pranimin e propozimit me pesë pika të Francës për negociatat e Shkupit me BE.

Por, ajo që ndodhi ishte krejt e kundërta. Borissov rrëzoi Qeverinë e Petkov përmes një mocioni mosbesimi, mocioni i parë i sukesshëm në historinë moderne të qeverisjes në Bullgari. Pas këtij votimi, Qeveria nuk mund të marrë asnjë vendim, as të çojë propozim në Parlament për të hequr veton ndaj Shkupit për çështjen e negociatave.

Nga këto zhvillime në Sofje e pësojnë si Maqedonia e Veriut, ashtu edhe Shqipëria, që përkundër optimizmit që shoqëroi deklaratën e Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi tashmë duhet të përballen edhe njëherë tjetër me zhgënjimin e refuzimit të caktimit të një date.

Pas votës në Parlament, Presidenti bullgar, Romen Radev duhet të nisë konsultimeve me partitë në parlament. Mandati për të formuar qeverinë e re i kalon sërish partisë së Kiril Petkov “Vazhdojmë Ndryshimin”, që duhet të formojë shumicën e re brenda shtatë ditëve.

Nëse Petkov dështon në formimin e mazhorancës brenda javës, atëherë mandati i kalon partisë së dytë më të madhe në Kuvend, që është partia GERB e ish-Kryeministrit Boyko Borissov. Procedura përsëritet me radhë deri kur shterohen të gjitha mundësitë.

Pas kësaj, emërohet një qeveri kujdestare që do të drejtojë vendin deri në zgjedhjet e reja. Nisur nga këto zhvillime, parashikohet që zgjedhjet e reja të parakohshme të mbahen në muajt shtator, ose tetor. gsh

Parlamenti rrëzon qeverinë e Petkovit, çfarë pritet të ndodhë në politikën bullgare

Parlamenti i bullgarisë ka rrëzuar sot qeverinë e kryesuar nga kryeministri Kiril Petkov. Mocioni i mosbesimit është nisur nga GERB, dhe si arsye për nisjen e saj ka qenë se qeveria ka dështuar në politikat ekonomike të vendit.
Ajo që pritet të ndodhë është që qeveria të japë dorëheqjen.
Më tej, presidenti i vendit duhet të nisë konsultimet me partitë në Asamblenë Kombëtare.
Kjo pasohet nga prezantimi i partisë “Ne vijojmë ndryshimin”, e cila do të ketë në dispozicion 7 ditë për të mbledhur shumicën.
Nëse kjo dështon, kreu i shtetit do ti japë mandatin për krijimin e qeverisë së re, një partie tjetër, të dytës për nga madhësia.
Me shumë mundësi, partia e dytë në radhë do të jetë GERB, e cila gjithashtu do të ketë afat 7 ditor për të krijuar qeverinë.
Nëse edhe kjo dështon vijohet me parti të tjera më të vogla.
Pas shterimit të të gjitha mundësive do të caktohet një qeveri tranzitore.
Deri atëherë do të jetë qeveria e cila ka dhënë dorëheqjen që do të qeverisë vendin.
Duke pasur parasysh procedurat, ekspertët mendojnë se në gusht mund të mbahen zgjedhjet e parakohshme, por duke qenë se kjo përkon me periudhë pushimesh, zgjedhjet mund të mbahen në shtator ose tetor. bw

Bullgaria hoqi veton ndaj Maqedonisë së Veriut, rrëzohet qeveria kryeministrit Petkov

Rrëzohet qeveria e kryeministrit Kiril Petkov në Bullgari. Pas një mocioni mosbesimi qe u mbajt sot ne Parlamentin bullgar, u votua pro rrëzimit te Ekzekutivit.

Rrëzimi i qeverisë bullgare erdhi fill pasi ky shtet i hoqi veton Maqedonisë së Veriut.

Në parlamentin bullgar u votua me 123 vota pro shkarkimit nga 116 kundër. bw

Vetoja ndaj Shkupit në BE, sinjale shprese nga Bullgaria

Bullgari, kreministri Kiril Petkov në parlament

VOA7Armand Mero

Një vendim i opozitës bullgare për të mbështetur heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut ka nxitur sot shpresat për zhbllokimin e mundshëm të nisjes zyrtare të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian mes Brukselit dhe Tiranës e Shkupit. Kryeministri Rama dhe homologu i tij maqedonas Dimitar Kovaçevski si dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, konfirmuan më pas pjesmarrjen në takimin e nesërm me krerët e vendeve të BE-së, i cili do t’i paraprijë mbledhjes së Këshillit europian, ku ndër temat është rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Vendimi përfundimtar i Bullgarisë duket se varet tanimë nga rezultati i votbesimit të kryeministrit Kiril Petkov, sot në mbrëmje

Një ditë më parë udhëheqësit e tre vendeve ballkanike, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, vunë në dyshim praninë e tyre në takimin e nesërm me krerët e vendeve të Bashkimit europian në shenjë zhgënjimi ndaj zvarritjes së procesit të integrimit. Tirana dhe Shkupi po presin prej kohësh nisjen zyrtare të bisedimeve për anëtarësim, të bllokuara nga vetoja e Bullgarisë, për shkak të disa pretendimeve të saj ndaj Shkupit.

Por sot një sinjal shprese u ndez pas deklaratës së kreut të opozitës bullgare Boykov Borissov, i cili i kërkoi qeverisë heqjen e vetos dhe mbledhjen e parlamentit për të marrë nje vendim, duke pranuar propozimin francez, i cili i ofron garanci Sofies për trajtimin në vijim, të problemeve bilaterale me Shkupin.

Pak pas këtij zhvillimi kryeministri Edi Rama shkroi në Twitter, me tone të përmbajtura, se sipas tij është “shumë herët për të qenë optimist dhe shumë pak për të ndryshuar pjesën e fjalimit të nesërm, ku Bullgaria kritikohet si një vend që ka marrë peng dy vende të NATO-s, ndërkohë që ka një luftë të nxehtë në kufirin e Evropës”, duke konfirmuar kështu pjesmarrjen në takimin me udhëheqësit e vendeve të BE-së. Një takim në të cilin ai thotë se “nuk do të ketë shumë për të dëgjuar rreth nesh, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne e mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për marrjen tonë peng nga Bullgaria që shkatërron atë”.

Vendimi i opozitës bullgare u përshëndet si një hap historik nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili u shpreh se priste që qeveria t’i bëjë propozimin e nevojshëm parlamentit.

Kryeministri Kiril Petkov i qëndroi megjithatë linjës së zgjedhur, sipas së cilës çështja duhet të kalojë më parë në Komisionin e Jashtëm të parlamentit bullgar, më pas në parlament e së fundmi në qeveri. Komisioni i jashtëm u mblodh pasdite, por pas më shumë se një orë diskutimesh, mbledhja u ndërpre, duke u shtyrë “për arsye teknike”. Sipas njoftimit Komisioni do të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm, por pa përcaktuar se kur.

Gjithshka duket se lidhet me situatën e nderë politike në Sofje. Qeveria e kryeministrit Petkov, do t’i nënshtohet votbesimit sot në mbrëmje, pasi një prej partive anëtare të koalicionit, u largua prej saj. Rezutati i këtij votbesimi, pritet të jetë përcaktues për qëndrimin e nesërm të Bullgarisë në mbledhjen e Këshillit europian.

‘Ushtari’ i Vuçiçit- Rama bojkoton BE-në, niset me avion me Zahon për Paris

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut paralajmëruan dje bojkot në Samitin e Bashkimit Europian.

Liderët e këtyre tri shteteve, përmes një bisede të përbashkët, sinjalizuan se nuk do të marrin pjesë në Samitin e BE-së, i cili do të mbahet më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

Rama e paralajmëroi vetë në “Twitter” mospjesëmarrjen në Samitin e Brukselit, ku Shqipëria është e ftuar, por ndërkohë kryeministri u nis pasditen e djeshme në një udhëtim privat bashkë me djalin e vogël drejt Francës.

Para vendimit përfundimtar, Vuçiç, Rama dhe kryeministri maqedonas Dimitri Kovaçevski do të bisedojnë edhe një herë për të arritur konsensusin mes tyre.

Vuçiç deklaroi në llogarinë e tij në Instagram, se tre liderët e tre vendeve janë pajtuar që pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët respektivë, që sot në mesditë ta shpallin vendimin nëse do të marrin pjesë në Samitin e 23 qershorit të BE-së.

Kryeministri Edi Rama paralajmëron refuzimin e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E kjo për shkak të Bullgarisë dhe çështjes së hapur që ka RMV-në. Rama shkruan se nuk ka ndonjë arsye për të shkuar në Samit për sa kohë i gjithë Unioni është i rrëmbyer nga Bullgaria, një spektakël, që sipas tij, nuk është i mirë për t’u parë.

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër ‘Jo, më fal!’ do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shprehet z. Rama.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor. Në këtë samit, krerët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë. syri.net

Grekët duan ujin e Syrit të Kaltër, mediat fqinje publikojnë marrëveshjen

Mes Greqisë dhe Shqipërisë po përgatitet për një marrëveshje, për të transferuar ujin e burimit të Syrit të Kaltër drejt vendit fqinj. Mediat greke kanë bërë publike lajmin në deklaratën e kryebashkiaku i Korfuzit. Për këtë çështje ka reaguar deputetja e PD, Ina Zhupa e cila shprehet se kjo zonë është zonë e mbrojtur dhe transferimi i ujit dëmton burimin.

Nga SYRI TV

Mes Greqisë dhe Shqipërisë po përgatitet një marrëveshje për të ndërhyre tek Syri i Kalter dhe per tia transferuar ujin e kulluar burimit nëntokësor të Greqisë. Kjo është bërë e ditur nga mediat e vendit fqinj. Në një artikull të posacmë, media greke ERT Neës, shkurian se Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris, ngre sërish çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria, për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit.

‘Me ndjenjën e përgjegjshmërisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne i jemi nënshtruar një propozimi/memorandumi teknik për furnizimin me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë në konsideratë dhe shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studime ekzistuese si ai i Politeknikut’, citohet të jetë shprehur Machmioris.

Lidhur me këtë artikull ka reaguat edhe deputetja demokrate, Ina Zhupa, e cila e quan marrëveshjen në fjalë, papërgjegjshmëri dhe çmendurinë e radhës të qeverisë Rama. Ajo thekson se Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002, dhe çdo ndërhyrje është në dëm të saj.

‘Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorikisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore. Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, por s’ka shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër.

Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!’, tha Zhupa.

Burimi i Ujit ‘Syri Kaltër’, i cili shtrihet në Delvinë, është shpallur monument kulture, dhe që nga viti 2002 mban statusin e zonës së mbrojtur.

Rama si Vuçiç, paralajmëron refuzimin e ftesës për Samitin e BE për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri Edi Rama paralajmëron refuzimin e BE-së për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Për këtë arsye, Rama tha se ka vendosur me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që të mos marrin pjesë në Samitin e BE-së i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.

“Duket se një tjetër “Jo, na vjen keq!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund!”, shprehet Rama dhe thekson se “I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”.

Postimi në Twitter i Ramës

“Ne diskutuam gjatë sot me liderët e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për Samitin e ardhshëm të BE-së. Duket se një tjetër “Jo, na vjen keq!” do të jetë ajo që do të dëgjojmë në fund! I gjithë Unioni i rrëmbyer nga Bullgaria nuk është një spektakël i mirë për t’u parë! Çfarë duhet bërë atje?!”, shkruan Rama në Twitter.

Liderët e vendeve pjesëmarrëse të “Ballkanit të Hapur” thanë se të mërkurën, do të njoftojnë nëse do të shkojnë në Samitin Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 23 qershor në Bruksel.

“Pas konsultimeve me qeveritë dhe këshilltarët tanë, jemi marrë vesh që nesër në mesditë ta tregojmë vendimin tonë nëse do të marrim pjesë në këtë takim”, ka shkruar presidenti serb Aleksandar Vuçiç në Instagram.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit të Liderëve të BE-së, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.

Vuçic tha se pjesëmarrjen në samitin e ardhshëm të BE-së e ka diskutuar në mëngjes me video-lidhje me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Dimitar Kovaçevski.

“Kemi shkëmbyer gjithashtu mendime për hapat e ardhshëm të nismës sonë Ballkani i Hapur – panairi i verës, i cili do të mbledhë verëtarët më të mirë nga rajoni, si dhe për takimin e ardhshëm, ku do të diskutojmë çështje të shumta me interes për qytetarët tanë”, tha Vuçic.

“Së bashku po luftojmë për një perspektivë të qartë të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunim edhe më të fortë dhe lidhje më të mira”, shtoi presidenti serb.

Në nismën “Ballkani i Hapur” bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. gsh

Eksperti i sigurisë: Të gjithë kriminelët e luftës në Serbi janë spiunë pro-rusë, mafia politike e dëshiron Putinin

Eksperti serb i sigurisë Darko Trifunoviç, thotë se të gjithë kriminelët e luftës në Serbi janë spiunë pro-rusë. Me anë të një reagimi në Facebook, thekson se mafia politike serbe e dëshiron presidentin rus Vladimir Putinin.

“Rastësi apo jo? Të gjithë kriminelët serbë të luftës (të dënuar ose jo) dhe të gjithë ata që plaçkitën Serbinë janë spiunë pro-rusë ose rusë. Interesante. ‘Orkestra e Kuqe’ ka kohë që funksionon në Serbi dhe askujt nuk i intereson. Anëtarët e këtij grupi po e shkatërrojnë në mënyrë sistematike Serbinë, në aspektin ekonomik, politik dhe veçanërisht të sigurisë”, thekson Trifunoviç.

Sipas tij, të gjithë këta po e grabisin vendin dhe po provokojnë luftëra. “Pas vdekjes së Titos, po këta, fillojnë një grabitje masive dhe mbyllje të të gjitha kompanive tona të krijuara nga paratë e Planit Marsala, provokojnë luftëra, inflacion, fshehin para në Qipro dhe rrëmbejnë gjithçka”, shprehet ai.

Trifunoviç shton se mafia politike serbe e dëshiron Putinin, duke pohuar se më këtë po shkatërrohet vendi.

“Mjafton që njerëzve t’u bëhet shpëlarja e trurit përmes makinerisë së tmerrshme për të bërtitur ‘Rroftë Putini’ ose ‘Rroftë Rusia’ dhe gjithë vjedhjet dhe gjithë nepotizmi e gjithçka tjetër harrohet në një çast. Në fund të fundit, çfarë lloj vjedhjeje? Kur idhulli i këtyre njerëzve është Putini, njeriu që lë gruan, jeton në një vilë 1 miliardë euroshe, pushon në një jaht 700 milionë euro dhe ka një orë 55 mijë euro”, përfundon Trifunoviç./a2cnn

Vuçiq: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e Serbisë

RFE/RL

Të mërkurën, më 15 qershor, presidenti serb Aleksandër Vuçiq deklaroi se njohja reciproke e Serbisë dhe Kosovës ishte dëshirë e Bashkimit Evropian (BE) por jo e Serbisë.

Deklarata e presidentit serb erdhi si reagim ndaj raportit të Parlamentit Evropian për Serbinë, ku për herë të parë shkruhet shprehimisht pritshmëria e BE-së për “njohje reciproke” mes Serbisë dhe Kosovës.

“Njohja reciproke është dëshira e tyre, është mirë që ata e duan, por ne nuk e duam. Dhe siç thashë – të gjithë kanë punën e tyre, ata kanë të tyren, ne kemi tonën,” tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një eventi të zhvilluar në Beograd.

Vuciq theksoi se nuk e konteston rëndësinë e dokumentit të miratuar nga Parlamenti Evropian, por shprehu besimin se “përbërja e re e parlamentit dhe qeveria e re në Serbi do të konfirmojnë gjithçka që ai ka deklaruar sot”.

Vuçiq tha gjithashtu se korniza e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohet mbi “normalizimin e marrëdhënieve” mes dy vendeve, dhe jo njohjes.

Komisioni i Parlamentit Evropian për Politikë të Jashtme (AFET) ka miratuar të martën, më 14 qershor raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Vuçiç falënderon të rënët serbë në Koshare: Nuk lejuat terroristët shqiptarë të hynin në ish-Jugosllavi

Miku i Edi Ramës, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç vendosi një kurorë me lule në të ashtuquajturin ‘Monumenti i Heronjve të Koshares’ që shënon përvjetorin e përfundimit të betejës mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Sllobodan Millosheviç. 

Pas vendosjes së kurorës, Vuçiç ka biseduar me veteranët e Betejës së Koshares, të cilët kanë vendosur kurorë pranë monumentin, duke i falenderuar për gjithçka që kanë bërë për atdheun.

“Nëse nuk kemi bërë asgjë tjetër, të paktën sot mund të flasim për ata që kanë vdekur dhe rolin tuaj“, tha Vuçiç me veteranët.

Ai shtoi: “Faleminderit shumë për nderin që i keni dhënë Serbisë dhe ne së bashku duhet të përpiqemi të mos e harrojmë atë. Lavdi heronjve tanë të rënë. Ju uroj gjithë të mirat dhe tani po shkoj në Bruksel”, tha Vuçiç.

Media serbe B92 shkruan se “22 vjet më parë përfundoi beteja e Koshares, gjatë së cilës, pjesëtarët e ushtrisë së RF të Jugosllavisë, mbrojtën kufirin shtetëror për 67 ditë dhe penguan pushtimin tokësor të UÇK-së terroriste nga Shqipëria në territorin e Serbisë”. “Në piedestal janë gdhendur emrat e 108 ushtarëve, nënoficerëve, oficerëve, rezervistëve dhe vullnetarëve që vdiqën në vitin 1999 në Koshare”.

Në fakt, ata që media serbe dhe Vuçiç i quajnë terroristë, ishin luftëtarët e lirisë së Kosovës.

Ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që rrëmbeu armët dhe luftoi një për një me çetnikët serbë, deri në çlirimin e Kosovës nga pushtuesit.

syri.net

Ekspozitë – “Sanxhaku, histori e dhembjes kombëtare”

 

Është projekti i shoqatës “Kosova për Sanxhakun” me të cilin synojmë të paraqesim trashëgiminë kulturore të Sanxhakut të Pazarit të Ri përmes fotografive. Ky projekt do të implemetohet në fushën e trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, i cili do t’i ekspozojnë fotografitë, të cilat tregojnë autoktoninë shqiptare në Sanxhakun e Pazarit të Ri.
Me këtë aktivitet synojmë të ndikojmë në njohjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar me të kaluarën, kulturën dhe traditën e popullit shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri dhe më gjerë.
Të gjeturat tona që do të prezantohen nëpërmjet kësaj ekspozite, jo vetëm sot këtu në Muzeun Kombëtar të Kosovës, por edhe në qendrat e ndryshme me qëllim të njohjes me të kaluarën jo të largët, rëndësinë në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore në përgjithësi dhe argumentimin e së kaluarës shqiptare në krahinën e Sanxhakut në veçanti.
Fiset shqiptare (Kelmend, Kuç, Hot, Shalë, Shkrel, etj.) iu nënshtruan asimilimit të gjatë shekullor, fillimisht si myslimanë dhe përfundimisht si boshnjakë. Por, të gjitha dëshmitë flasin se kjo trevë edhe në ditët e sotme është e banuar nga shqiptarët, edhe pse pjesa dërmuese e tyre deklarohen boshnjak, jo më larg se në brezin e dytë na dalin puro shqiptarë.
Fotografitë e dokumentojnë thelbin e epokave të ndryshme më mirë se çdo medium tjetër, por janë më shumë se formë e dokumentimit. Ato inkorporojnë vlerat artistike- tregojnë histori të pa thëna apo të pa shkruara me fjalë. Sa i përket Sanxhakut të Pazarit të Ri forma më e mirë për të dëshmuar të kaluarën shqiptare të tij kujtojmë se është fotografia.
Nëpërmjet fotografisë ne do të dokumentojmë traditën, mënyrën e jetesës, veshjen, kulturës, mjetet e punës, shtëpitë e banimit, ushqimit, si dhe toponimet.
Nëpërmjet fotografisë ne do t’i paraqesim edhe traditën e kësaj popullate, bie fjala dasmat, eposin e lahutarëve, folklorin, lojërat tradicionale popullore, doket, zakonet, zejet, mjetet e punës, mënyrën e jetës në fshat, objektet e banimit dhe imazhet të ndryshme të vendbanimeve.
Ekspozita do të ndikoj në masë të duhur tek studentët aktual dhe te ata që vijnë që të merren me studimin e këtij rajoni. Ekspozita mendojmë se do të jetë një kontribut i madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare në këto vise të cilat pothuajse janë krejtësisht të asimiluara.

Prishtinë 17 06 2022 Shoqata “Kosova për Sanxhakun”
Ismet AZIZI, kryetar

“Serbia varet shumë nga Rusia”, ish-presidenti kroat: Serbët jetojnë në iluzion, Beogradi nuk është i fortë

Ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ka deklaruar se disa njerëz në Serbi jetojnë në iluzion, sepse Serbia nuk është e fuqishme për të paraqitur kërcënim për rajonin, përkundër armatimit të saj nga Rusia dhe Kina.

Politikani i njohur kroat, i cili flet më hapur dhe më realisht për Serbinë, a bërë të ditur arsyen pse Serbia vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë i cili nuk i ka vendosur sanksione Rusisë.

“Serbia nuk mund më të jetë kërcënim. Është e qartë se disa njerëz në Serbi jetojnë në iluzion se janë më të fortët në këto hapësira dhe se mund të diktojnë politikën. Ata nuk mund të diktojnë asgjë…Serbia varet shumë nga Rusia, bëhet fjalë për interesin e saj ekonomik, andaj nuk deklarohet kundër Rusisë”, ka thënë Mesiç.

Njeriu që kaloi të gjitha postet e larta publike në Kroaci, por edhe në ish-Jugosllavi, ka potencuar se BE-ja duhet të shpejtojë procedurat për integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor në Evropë.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Mesiç e sheh të domosdoshme përfshirjen e SHBA-së në këtë proces. Ai përmendi përvojën e proceseve të Kroacisë dhe Bosnes, me ç’rast, tha se Evropa pa Amerikën nuk është e fuqishme të zgjidhë problemet dhe të sjellë paqe të vërtetë.

“Mendoj se Bashkimi Evropian nëse dëshiron të jetë parimor, duhet ta shpejtoj hyrjen në integrime evropiane të Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor… Është parë gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë se Evropa nuk kishte fuqi për të bërë ndonjë gjë në mënyrë që të vihet deri tek paqja e vërtetë. Evropa sot nuk ka lider, Evropa është shkurtabiq në politikë në raport me Amerikën. Andaj, duhet që të angazhohet Amerika, sikurse është angazhuar për paqe në Bosnjë e Hercegovinë, ashtu do të angazhohet edhe në Kosovë”, theksoi Mesiç.

Avokati dhe politikani kroat Stjepan (Stipe) Mesiç, ishte president i fundit i Jugosllavisë (1991). Pastaj shërbeu si kryeministër i Kroacisë, ndërsa më vonë kryetar i parlamentit kroat (1992 – 1994). Së fundi ishte për dy mandate pesë vjeçare president i Kroacisë, nga viti 2000 deri më 2010./ KP

Në Preshevë kapet ish-shefi inteligjencës ukrainase

Ditë më parë policia kufitare në Preshevë konfiskoi nga shtetasit gjerman A.A dhe ai ukrainas A.N 600 000 euro dhe 120 000 dollarë si mjete të padeklaruara në makinën e tyre BMW dhe disa gurë me vlerë të shtrenjtë.

Pas konfiskimit të mjeteve financiare dy autorët janë ndaluar në polici nën dyshimin për shpëlarje parash.

Ndonëse zyrtarisht Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë nuk ka zbuluar identitetin e tyre, bëhet fjalë për shtetasin ukrainas Andrij Naumov, ish shef i lartë i inteligjencës ukrainase SBU të cilin Presidenti Zelensky e kishte shkarkuar nga detyra me 31 mars të këtij viti me dyshim për tradhti kombëtare, derisa shtetasi gjerman A.A ishte shofer i tij, njësoj i ndaluar nga policia serbe në Preshevë. Express

Zelensky ftoi Abazoviqin të vizitojë Kievin

RFE/RL

Kryeministri i malit të Zi, Dritan Abazovi, më 9 qershor, foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e ftoi atë të vizitojë Kievin.

Sipas kabinetit të Abazoviqit, kryeministri i Malit të Zi, në bisedën telefonike, ia përkujtoi Zelenskyt se Mali i Zi e ka dënuar agresionin e Federatës Ruse kundër Ukrainës dhe se që nga fillimi e ka mbështetur hapur pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Ai theksoi se Mali i Zi e mbështet plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Qeveria malazeze njoftoi se kryeministri Abazoviq ka marrë ftesë nga presidenti ukrainas për të vizituar Kievin.

“Gjatë bisedimeve me Zelenskyn, kryeministri Abazoviq ka shprehur gatishmërinë e tij personale për të vizituar Kievin dhe në këtë mënyrë t’i ofrojë mbështetje popullit ukrainas, duke vënë në dukje se do t’u propozojë liderëve të Ballkanit Perëndimor që së bashku të vizitojnë kryeqytetin ukrainas dhe të ofrojnë mbështetje”, thuhet në deklaratë.

Zelensky, siç theksohet, falënderoi Abazoviqin për mbështetjen e Malit të Zi për Ukrainën, qëndrimin parimor të Podgoricës ndaj BE-së, si dhe qëndrimin e saj në Kombet e Bashkuara.

Abazoviq e informoi Zelenskyn për numrin e refugjatëve ukrainas që ka pranuar Mali i Zi dhe deklaroi se bëhet fjalë për rreth dy për qind të popullsisë.

Në fillim të qershorit, kryeministri i Malit të Zi i dërgoi një letër mbështetje popullit të Ukrainës dhe presidentit Zelensky, ku ndër të tjerrka theksuar se “Ukraina po mbron jo vetëm atdheun e saj, por të gjithë Evropën, si dhe vlerat demokratike dhe normat e qytetërimit mbi të cilat mbështetet bota moderne”.

Më 8 prill, Qeveria e Malit të Zi miratoi zyrtarisht sanksionet kundër Rusisë për shkak të agresionin ndaj Ukrainës. Përpara këtij vendimi, Mali i Zi mbylli hapësirën ajrore të saj për fluturimet e aeroplanëve rusë.

Abazoviq mohon se Mali i Zi po i bashkohet “Ballkanit të Hapur”

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, pas arritjes në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 7 qershor 2022.

RFE/RL

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, mohoi se shteti i tij po i bashkohet nismës rajonale, “Ballkani i Hapur”.

Abazoviq po merr pjesë për herë të parë në takimet e kësaj nisme, që po mbahen në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Por, prania e tij në këto takime është thënë se është në cilësinë e vëzhguesit.

“Nuk po shkojmë në Ohër për t’iu bashkëngjitur ‘Ballkanit të Hapur’, por për të shprehur, së bashku me partnerët e BE-së dhe aleatët e NATO-s, qëndrimin ndaj një nisme rajonale, në mënyrë që në fund të fundit të kemi më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim të mirë”, tha Abazoviq përmes një postimi në kanalin e tij në rrjetin social, Telegram.

Ky reagim i Abazoviqit u bë pasi më 7 qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi joformal në Ohër, deklaroi se pjesëmarrja e Abazoviqit në takimet në Ohër, “fut zyrtarisht Malin e Zi në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Megjithatë Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”.

 

Ohër- Alex Soros në tryezë me Ramën dhe Vuçiç

Alex Soros, djali i manjatit amerikan George Soros ka qenë i pranishëm në darkën e Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç në Ohër, në kuadër të ‘Ballkanit të Hapur’. 

Anëtari i Kryesisë së PD, Gent Strazimiri ka ironizuar praninë e Soros, ndërsa shkruan në një status në rrjetet sociale se gjynah që mungon ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Postimi
Pro-amerikanë si Lavrovi…
Gjynah që mungon Lavrov, se do kishte qenë takimi më pro-amerikan në rajon, me nismën më pro-amerikane, me të gjithë pjesëmarrësit “grata” … nga ata të pakorruptuarit që nuk lejojnë t’u minojnë demokracinë…
Kjo tryezë është as më shumë e as më pak se konspiracion kundër interesave dhe reputacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
KAQ!

syri.net


Send this to a friend