VOAL

VOAL

Turqia mirëpret marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër, pret rezultate konkrete në të ardhmen

Ministria e Jashtme e Turqisë, e ka mirëpritur ujdinë midis dy vendeve duke shtuar se pret që të dy palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme.

Ministria e Jashtme e Turqisë, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Përmes një komunikate për media, ky dikaster e ka  mirëpritur ujdinë midis dy vendeve duke shtuar se pret që të dy palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme.

“Mirëpresim që në prag të arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 27 shkurt 2023, në kuadër të udhërrëfyesit të Bashkimit Evropian, liderët e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord për aneksin e zbatimit të marrëveshjes në fjalë në Ohër. Shpresojmë që palët të respektojnë plotësisht dispozitat e marrëveshjes në fjalë dhe të arrijnë rezultate konkrete në periudhën e ardhshme”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, në këtë njoftim theksohet se Turqia do të vazhdojë të mbështesë të gjitha iniciativat që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Vendi ynë ka kontribuar në këtë proces, veçanërisht në çështjen e shpërndarjes së energjisë elektrike. Presidenti ynë së fundmi pati takime të ndara si me presidentin serb Vuçiq ashtu edhe me kryeministrin e Kosovës Kurti”, vijon njoftimi.

Ndryshe, të shtunën shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”. syri.net

Mali i Zi: Milo Gjukanoviç dhe Jakov Milatoviç do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

VOA/Ali Salaj

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, politikani veteran që ka shërbyer në postet më të larta shtetërore për 33 vjet, do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale me ish ministrin properëndimor të ekonomisë Jakov Milatoviç, meqë asnjëri prej tyre nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për një fitore në zgjedhjet e së dielës.

Qendra për Monitorim dhe Hulumtim në Podgoricë, tha se sipas rezultateve paraprake presidenti aktual dhe kandidati i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç, ka fituar numrin më të madh të votave, përkatësisht, 35.4 për qind.

Kandidati i Lëvizjes Qytetare “Evropa Tani”, Jakov Milatoviç, fitoi 29.3 për qind.

Kandidati i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, Andrija Mandiç siguroi 19.1 për qind të votave

Katër kandidatët tjerë morën prej 10.9 deri 0.8 për qind të votave.

Qendra për Tranzicionin Demokratik njoftoi se në zgjedhjet presidenciale morën pjesë 344.700 votues, që i bie 63.6 për qind të 542.154 qytetarëve me të drejtë vote.

Sipas raporteve të vëzhguesve dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dita e zgjedhjeve kaloi relativisht e qetë, pa ndonjë parregullsi të theksuar që do të mund të prishte procesin zgjedhor.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet pas 14 ditësh, me 2 prill, konkurrojnë dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga rivendosja e pavarësisë, por kësaj radhe zgjedhjet presidenciale u zhvilluan në një mjedis krize institucionale dhe politike.

Viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme dhe heterogjene parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan më tej ndarjet në skenën politike.

Që nga viti 2020, nuk ka pasur përparim në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të arritjeve të pamjaftueshme në procesin e reformës.

Vendi i vogël buzë Adriatikut u bë anëtar i NATO-s në vitin 2017, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016 për të cilin qeveria fajësoi agjentët rusë dhe nacionalistët serbë. Moska i hodhi poshtë pretendimet e tilla.

Christopher Hill: Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane

RFE/RL

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se rezultati më i rëndësishëm i negociatave të 18 marsit në Ohër është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane dhe planin e qartë drejt saj.

Ai i ka bërë këto deklarata një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja është arritur pas disa orëve diskutime në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Hill, ka thënë se vendimi ka kërkuar “mençuri, integritet dhe kurajë”.

“Ka ende shumë punë për të bërë, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap”, ka thënë Hill, përmes një postimi në Twitter.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka konsideruar të rëndësishme marrëveshjen e arritur në Ohër.

Arritjen e pajtueshmërisë e ka përshëndetur edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Përmes një postimi në Twitter, NATO-ja ka bërë thirrje për zbatim të shpejtë dhe të plotë të asaj për të cilën palët janë marrë vesh.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka thënë Vuçiq.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Vuçiçi kthehet në Beograd dhe thotë se nuk do të zbatojë marrëveshjen franko-gjermane

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç është kthyer nga Ohri dhe ka mbajtur sot një konferencë për media në Brograd. Ai u ka thënë gazetarëve se nuk ka nënshkruar asgjë dhe se nuk do ta zbatojë marrëveshjen, të cilën Bashkimi Europian e shpalli të arritur.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Vuçiç tregoi versionin e tij nga diskutimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti lidhur me këtë çështje.

‘Z. Kurti përmendi planin e Ahtisaarit. Serbia nuk e ka miratuar atë plan dhe nuk është pjesë e procesit të dialogut. Kurti prezantoi tri shtyllat e tij për Asociacionin, të cilat nuk u pranuan’, tha Vuçiç, duke shtuar se për Asociacionin ka dokumente të nënshkruara nga vitet e kaluara.

Sipas tij, shtyllat e Kurtit ishin që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, t’i përmbahet ‘garancisë’ së Federica Mogherinit për ish-kryeministrin Isa Musafa se s’do të ketë kompetenca ekzekutive, dhe zotimeve të diplomatëve amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar.

Ai tha se Serbia ka nevojë për ‘Asociacionin kudo ku jetojnë serbët, por më tepër në jug sesa në veri’.

Për këtë çështje, ai tha se pret telashe, raporton Danas.

‘Ajo që thuhet saktësisht (në aneks) është zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi të kënaqur me atë që është arritur në dialog. Nëse nuk përmbushet, na takon neve të marrim vendime se çfarë do të përmbushim’, tha Vuçiç, duke shtuar se pret që të fillojë procesi i formimit të Asocacionit dhe se çështja është se sa do të zgjasë.

Por pas kësaj Vuçiç tha se si Serbia nuk mund t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura më herët, duke theksuar se ‘ka gjëra që nuk mund t’i bëjmë dhe as që janë realiste’.

‘Nuk ka ndryshuar shumë për ne, përveç se tani rruga jonë europiane do të varet nga ajo që do të bëjmë në këtë çështje, të cilën nuk besoj se do ta përfundojmë në tre apo katër vjet që jam president’, tha Vuçiç.

Ai tha se gjatë bisedimeve të djeshme teksti është ndryshuar 12 herë. syri.net

Vuçiq: Serbia nuk mund të nënshkruajë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk e ka nënshkruar aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, “sepse Serbia është shtet i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova nuk është” prandaj, sipas tij, nuk mund të arrihet një marrëveshje juridike ndërkombëtare.

Ai ka folur para popullit më 19 mars, duke diskutuar për takimin që ka zhvilluar në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë më parë, nën ndërmjetësim të negociatorëve evropianë.

I pranishëm në Ohër ka qenë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, po ashtu, i ka komentuar si pozitive zhvillimet e së shtunës.

“Askush nuk mund t’ia imponojë Serbisë obligimin për të njohur Kosovën. Serbia mund të punojë në zbatim, deri te vijat e kuqe”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 19 mars, në Twitter, se i takon BE-së të gjejë mekanizma për ta bërë marrëveshjen ligjërisht obliguese.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Vuçiq ka thënë se për Serbinë është e rëndësishme që është rënë dakord që “të zbatohet ajo që është arritur në dialog”, kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Kurti, në takim ka folur për “tri shtyllat” mbi të cilat duhet të bazohet Asociacioni, por Serbia nuk mund ta pranojë këtë, sepse për Asociacionin është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit.

“Asociacioni është i rëndësishëm, sepse serbët do të marrin një kornizë institucionale për veprim”, ka shtuar mes tjerash ai.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 18 mars se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq: As sot nuk kam nënshkruar asgjë- Formimi i Asosacionit obligim prioritar dhe jam shumë i kënaqur me këtë

Presidenti i Serbisë Vuçiq tha në Ohër se ishte arritur një lloj marrëveshjeje dhe se ishte i kënaqur me të, si dhe se nuk kishte nënshkruar asgjë.

Burimi: B92 E diel, 19 mars 2023 | 01:15

FOTO TANJUG/ MILOŠ MILIVOJEVIĆ/ bs

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër tha se është arritur një lloj marrëveshjeje dhe se është i kënaqur me të, si dhe se nuk ka nënshkruar asgjë.

“Në udhërrëfyesin, i cili nuk do të zgjasë një ditë, Këshilli Evropian do të specifikojë se sa është bërë me planin e zbatimit, i cili do të duhet të zgjerohet. Asgjë nuk do të zgjidhet sot”, tha Vuçiq.

“Formimi i Asosacionit (CSM – Community of Serb Municipalities)  është vendosur si obligim prioritar. Më duhet të them se jam shumë i kënaqur me këtë, po flitet për persona të pagjetur, për konferenca donatorësh. Plani me siguri do të duhet të përmirësohet”, tha Vuçiq.

“As sot nuk kam nënshkruar asgjë. E kam bërë të qartë se cilat janë vijat tona të kuqe. Nuk ka qenë dita e D. Besoj se Prishtina do ta përmbushë formimin e KSHM-së, që është paraparë këtu me etiketën urgjente. Nesër do Paraqisni çdo pikë para qytetarëve. Kemi pasur një bisedë të mirë përkundër mosmarrëveshjeve të shumta. Ne kemi punë serioze përpara në muajt në vijim”, tha Vuçiq.

“Ne nuk kemi shumë detyrime në këtë pjesë, ky është një dokument dhe kjo është pjesë e kornizës së negociatave dhe do të shohim nëse do të formohet CSM… Mendova se do të formohej në vitin 2013. Është një proces i vështirë, për mua është e rëndësishme që kam thënë se cilat janë vijat tona të kuqe, të cilat i ka nënvizuar edhe Kurti, secili mbron interesat e veta”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se thelbi është ruajtja e paqes.

“Asgjë nuk ka ndryshuar me ne. Nuk ka asgjë komike apo tragjike. Është një proces i gjatë në të cilin të gjithë luftojnë për veten,” tha ai.

“Nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur me CSM-në, do të pasojë kthimi në institucione, por nuk jam optimist”, tha Vuçiq, duke shtuar se ky është “fillimi. Ky është një proces i vështirë dhe i përgjegjshëm”.

“Më vjen keq që keni pritur 13 orë, por është e pamundur të zgjidhet diçka që ka marrë 150 vjet në një ditë, por ne duhet të gjejmë zgjidhje dhe ky duhet të jetë qëllimi. Ne do të duhet të vazhdojmë të punojmë, por tani ata do të fillojnë. Duke e vlerësuar veçmas rezultatin tonë, ata që nuk i përmbushin obligimet e tyre nuk do të bëjnë përparim, nëse Prishtina nuk e përmbush formimin e CSM-së, nuk do të ketë përparim për Prishtinën”, tha Vuçiq.

Në fund, presidenti i Serbisë tha se beson se presioni do të vazhdojë në të dyja palët.

Në Mal të Zi po mbahen zgjedhjet presidenciale

Një qendër votimi në Mal të Zi.

Qytetarët e Malit të Zi votojnë të dielën për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Presidenti aktual, Millo Gjukanoviq, është duke garuar kundër gjashtë rivalëve tjerë, përfshirë katër anëtarë të kampit pro-serb.

Vendvotimet janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe rezultatet e para pritet të dalin në mesnatë.

Analistët besojnë se emri i fituesit do të bëhet i ditur në balotazhin që mund të mbahet më 2 prill.

Gjukanoviq, 61-vjeçar, ka mbajtur pozitat më të larta në Qeverinë e Malit të Zi në tri dekdat e fundit.

Ai ka shërbyer gjashtë herë si kryeministër, përkatësisht prej vitit 1991.

Fitorja në këto zgjedhje, do t’ia siguronte atij mandatin e tretë si president.

Ai e ka shtyrë vendin drejt Perëndimit dhe anëtarësimit në NATO më 2017.

Kandidatët tjerë në garën për president janë: kreu i Demokracisë së Re Serbe, Andrija Mandiq, Jakov Millatoviq nga Evropa Tani, Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë.

Të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale kanë 542.154 qytetarë.rel

Gjukanoviq e shpërndan Parlamentin e Malit të Zi

RFE/RL

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shpërndarë Parlamentin më 16 mars dhe sipas Kushtetutës, ai tani duhet që deri më 17 mars të njoftojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit vjen tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat garon edhe Gjukanoviqi.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi u nënshkrua në bazë të nenit 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.

Qeveria aktuale e Dritan Abazoviqit para shtatë muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022.

Sot, 90 ditë pasi janë miratuar ndryshimet në Ligjin për president, në bazë të të cilave Miograd Llekiq u propozua për mandatar të Qeverisë, ky legjislacion u botua në Gazetën Zyrtare.

Llekiq dështoi të siguronte mbështetjen e 41 nga 81 deputetët e Parlamentit dhe të formonte Qeverinë e re brenda afatit të caktuar prej 90 ditësh.

Gjukanoviq kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për president ishin kundërthënëse dhe këshilltarët e tij ligjorë e dërguan atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.

Ligji u ndryshua në dhjetor nga shumica parlamentare që përbëhet nga Fronti Demokratik pro-rus, Demokratët, Partia Popullore Socialiste dhe Lëvizja URA.

Përmes ndryshimeve ligjore, shumica parlamentare mori autoritetin kushtetues të presidentit të shtetit, pasi Gjukanoviq, për arsye formale, refuzoi që të mandatonte Llekiqin për formimin e Qeverisë së re.

Partnerët ndërkombëtarë, veçmas Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, vazhdimisht i kanë bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos tentojë të krijojë Qeverinë e re bazuar në ligjin e ndryshuar, duke argumentuar se do të vihej në pikëpyetje legjitimiteti i ekzekutivit. Ata këtë mendim e bazuan edhe në opinionin negativ që dha Komisioni i Venencias sa i përket ndryshimeve në Ligjin për president.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi u mbajtën më 30 gusht të vitit 2020.

Zgjedhjet e reja që do të shpallen do të jenë të gjashtat që Mali i Zi ka mbajtur që nga pavarësia më 2006.

Vuçiçi: Nuk kam në plan të nënshkruaj asgjë në Ohër

VOA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten se nuk planifikon të nënshkruaj asgjë në takimin e së shtunës në Ohër me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Beograd, në prag të takimit më 18 mars ku do të diskutohet për udhërrëfyesin e zbatimit të një plani të ofruar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kur dikush të nënshkruajë diçka, unë do ta bëj, për këtë vendosin qytetarët por nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë”, tha presidenti serb, duke mohuar të ketë marrë ndonjë projekt të udhërrëfyesit nga Bashkimi Evropian.

“Kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin dhe ende nuk kemi marrë asgjë nga Brukseli. Nuk ka nevojë të alarmohet publiku. Kur të ketë, do të informoj publikun dhe do të vë në dukje të këqijat, ose të mirat, nëse ka të mira në diçka që është e vështirë për ne”, tha presidenti Vuçiç.

Presidenti serb tha se takimi i Ohrit nuk do të jetë ‘ditë e gjykimit’ duke nënvizuar se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë.

“Ditët e kaluara kam diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, e them normalizim me qëllim, dhe kur them normalizim, nuk është eufemizëm për njohjen e Kosovës, de fakto apo de jure. Për mua, normalizimi do të thotë të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët se sa sot, të zgjidhim problemet e panumërta që kemi dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo – atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai, duke nënvizuar se nuk do të heq dorë nga vijat e kuqe të Serbisë kundruall Kosovës, duke ju referuar qëndrimeve të tij kundër mundësisë së anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Presidenti serb tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm për Serbinë, meqë ofron siguri dhe mbështetje për serbët e Kosovës.

“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para qytetarëve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha presidenti serb.

Prishtina e cila është gjetur nën trysni ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit heziton ta bëjë këtë duke përmendur shqetësimin se ai mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Diplomatët perëndimorë e kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë duke theksuar se themelimi i Asociacionit është detyrim ligjor ndërkombëtar i Kosovës.

Greqi, lihen të lirë 4 policët që u akuzuan për torturë ndaj një të burgosuri shqiptar

VOA/Raimond Kola

Mediat greke njoftuan se katër policë grekë të arrestuar “për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim” ndaj një të burgosuri shqiptar u lanë të lirë.

“Një oficer policie, tre policë dhe një roje speciale u lanë të lirë pas kërkimit të faljes prej tyre”, njoftuan mediat greke.

Punonjësit e policisë në detyrë ishin përgjegjës për ruajtjen e transferimit të të burgosurve nga Kavalla e Selanikut në burgun e Korydhalos dhe u arrestuan nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë.

Ishte i burgosuri shqiptar Sajmir Pjetri, i cili deklaroi se e rrahën dhe torturuan, i vendosën në kokë një helmetë motori dhe kur kishte kërkuar ujë, oficerët e refuzuan.

Mjeku që shkoi në burg konfirmoi se rrahjet e pësuara nga i burgosuri shqiptar ishin bërë 24 orët e fundit para pranimit të tij në burg, ndërsa u konfiskuar rrobat që i burgosuri mbante gjatë transferimit.

Ofiecerët grekë nuk kishin pranuar se kishin ushtruar dhunë dhe sipas tyre vendosja e helmetës ishte bërë pasi i burgosuri kërkonte të dëmtonte veten në mjetin ku po transferohej me 10 të burgosur të tjerë.

Sajmir Pjetri, babi i dy fëmijëve vuante dënimin me burg për drogë dhe grabitje në burgun e Koridhalosit dhe ishte transferuar në Kavalla të Selanikut për një tjetër proces gjyqësor për kundravajtje.

Procesi sipas 32-vjeçarit shqiptar ishte zhvilluar pa praninë e tij dhe ai ishte dërguar një ditë më vonë në gjykatën greke për t`u njohur me vendimin.

Pjetri tha përmes një deklarimi video nga burgu të bërë publik në rrjetet sociale : “nuk shkova në gjykatë se nuk më çoi policia, u dënova në mungesë, kërkova të drejtat e mia pse nuk më treguar për datën e gjyqit dhe më kanë sakatuar”.

Autoritetet shqiptare nuk janë prononcuar për ngjarjen e cila ka gjetur jehonë të gjerë si në mediat greke edhe ato shqiptare.

(Video) Sanduloviq: Është koha që ShBA-ja ta angazhojë Walkerin ose Menendesin në dialogun Kosovë-Serbi !

Kryetari i Parti Republikane Serbe (PRS), Nikola Sanduloviq, ka thënë se është koha që ShBA-ja ta angazhojë dikë të fuqishëm e të përgjegjshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ai tha se William Walker ose Bob Menendezin mund të ndihmonin në këtë çështje.

Ka ardhur koha që të angazhohet dikush shumë i fuqishëm dhe i përgjegjshëm, si dhe me përvojë të madhe në këto hapësira, e para së gjithash mendoj te dikush në Administratën Amerikane, si puna e zotit William Walkeri, apo zotit Bob Menendez, që kanë një ndikim të madh politik dhe kanë një përvojë të madhe nga ajo që ka ndodhur këtu dhe se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen”, ka shtuar ai.

Sanduloviq shtoi se Aleksandar Vuçiq nuk do të nënshkruaj asgjë, por do të merret me pjesët triviale të marrëveshjes, siç janë targat apo Bashkësia e Komunave Serbe.

Ndërkaq për Kurtin tha se është pjekur si një politikan serioz dhe i përgjegjshëm, i cili duhet të ketë idenë se çfarë thotë populli i Kosovës dhe të thirret edhe ai në Kushtetutën e Kosovës sikur Aleksandar Vuçiqi që thirret në Kushtetutën e Serbisë, ku deklarohet se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë dhe se ai asnjëherë nuk do ta pranojë Kosovën”./klankosova.tv

Lajçak takon opozitën në Beorgad: Serbia mos të kundërshtojë hyrjen e Kosovës në OKB

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak sot në Beograd është takuar edhe me përfaqësuesit e opozitës atje me të cilët kanë biseduar për procesin e negociatave dhe propozimin franko-gjerman.

Siç shkruan nova.rs, Lajcak në këtë takim ka thënë se BE-ja i ka dëgjuar se cilat janë “vijat e kuqe” të Serbisë për marrëveshjen e mundshme me Kosovës.

Megjithatë Lajcak ka theksuar se kërkohet nga Serbia që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, siç e specifikon edhe Neni 4 i propozimit evropian për normalizim të raporteve.

Në këtë takim me opozitarët serbë, Lajcak ka treguar se Vuçiq i ka thënë edhe kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron se “vijat e kuqe” të Serbisë janë anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.syri.net

(Video) Jeta e vështirë e politikanit serb Nikola Sanduloviq që pranon krimet e Serbisë në Kosovë

Jeta e vështirë e politikanit serb që pranon krimet e Serbisë në Kosovë

 

 

Greqi : Arrestohen katër policë për torturë ndaj një të burgosuri shqiptar

VOA/Raimond Kola

Ministria e Mbrojtjes së Qytetarëve në Greqi njoftoi arrestimin e katër pjesëtarëve të policisë greke të cilët akuzohen “për torturë dhe fyerje të tjera të dinjitetit njerëzor me bashkëpunim” ndaj një të burgosuri shqiptar.

Arrestimi është kryer nga Shërbimi i Punëve të Brendshme të Forcave të Sigurisë dhe katër policët janë dërguar në prokurorinë kompetente, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Siç rezultoi nga hetimi, të arrestuarit , një oficer, 2 policë dhe roja speciale, të ngarkuar me përgjegjësinë e ruajtjes dhe transferimit të të burgosurve në institucionin e vuajtjes së dënimit , kanë kryer akte rrahjeje dhe torture ndaj një të burgosuri të huaj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit.

Sipas burimeve zyrtare greke “veshjet e të burgosurit janë konfiskuar dhe janë ekzaminuar edhe nga mjeku”.

Mjetet greke të informimit kanë njoftuar se i burgosuri ishte një shqiptar, i dënuar për drogë dhe grabitje, dhe po trasnsferohej nga Selaniku drejt burgut të sigurisë së lartë të Koridhalosit në Athinë.

Sipas mediave greke i burgosuri shqiptar ka dëshmuar se teksa ndodhej në “automjetin burg” ku po transferohej është goditur brutalisht në kokë nga policët, dhe ndonëse ka kërkuar ujë gjatë rrugës nuk i është dhënë.

I burgosuri shqiptar deklaroi gjithashtu, sipas mediave greke, se kur mbërriti në burgun e Koridhalosit në Athinë i vendosën në kokë një helmetë në mënyrë që të mos shiheshin goditjet në kokë.

Sipas mediave kryesore greke brenda mjetit burg ndodheshin 11 të burgosur të cilët gjithashtu dëshmuan se policia e ka rrahur të dënuarin shqiptar.

Një nga gardianët e burgut të Koridhalosit ka vënë re shenjat në kokën e të burgosurit dhe ka njoftuar policinë e cila arrestoi katër pjesëtarët e policisë, njoftuan mediat kryesore greke.

Policët grekë kanë pretenduar se helmeta ishte vendosur pasi i burgosuri po tentonte të godiste vetë kokën.

Policia greke ka kryer kohët e fundit një seri bastisjesh në burgje nën dyshimet se rrjete kriminale kanë urdhëruar disa nga vrasjet me pagesë të ndodhura kohët e fundit dhe ku viktima kanë qenë edhe shtetas shqiptarë.

Sipas medias greke rreth 25 vrasje të këtij karakteri janë regjistruar në pesë vitet e fundit dhe janë të lidhura me të burgosur grekë dhe të huaj që kishin vepruar në periudhën 2005-2015.

Eurodeputeti slloven: Vendet e BE-së e shohin Serbinë ‘Rusi ballkanike’, ajo duhet ta pranojë marrëveshjen me Kosovën

Deputeti i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj ka thënë se asnjëra palë nuk mund ta refuzojë  marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se qëllimi parësor i saj është ulja e tensioneve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Ai shtoi se rreziku i madh për Serbinë është se disa vende anëtare të BE-së e shohin atë si “Rusi ballkanike”.

Eurodeputeti slloven, në një intervistë për “Nova”, thotë se marrëveshjen e pranuar nga Kurti e Vuçiq, në bazë të Propozimit evropian e sheh një përpjekje për të gjetur emëruesin më të ulët të përbashkët mes Serbisë dhe Kosovës.

“Vlerësimi i BE-së është se kjo është e pranueshme për Serbinë dhe në anën tjetër për Kosovën. Marrëveshja nënkupton njohjen e Serbisë, por në të njëjtën kohë nënkupton që Serbia nuk do ta njohë zyrtarisht Kosovën. Do të thosha se ky është kreativiteti maksimal i diplomacisë së Brukselit në zgjidhjen e kësaj çështjeje”, tha Groshelj.

I pyetur nëse ka mundësi që Serbia ta refuzojë këtë dokument, ai tha se marrëveshja është krijuar në atë mënyrë që asnjëra palë nuk mund ta refuzojë.

“Mendoj se kjo marrëveshje, nëse nënshkruhet, do të kërkojë përfundimisht negociata shtesë për disa detaje. Mendoj se kjo është vetëm një marrëveshje ombrellë dhe se ideja është të bien dakord më vonë, kur gjërat të fillojnë të funksionojnë, për gjëra për të cilat ata nuk mund të bien dakord tani. Kam përshtypjen se një ide e tillë është në prapavijë dhe se BE-ja dhe SHBA-ja aktualisht po përpiqen të bindin palën kosovare, serbe dhe shqiptare, sepse në këtë proces ka rol edhe diplomacia e tyre dhe kryeministri Edi Rama”.

Eurodeputeti slloven mendon se njohja reciproke nuk planifikohet për momentin, por në një të ardhme.

“[Njohja reciproke] Është një synim në një të ardhme afatmesme apo afatgjatë. Me sa e kam kuptuar, tani primare është zvogëlimi i mundësisë së tensioneve të reja, përshkallëzimit dhe destabilizimit të marrëdhënieve. Dhe nuk po flas vetëm për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Ai ka folur edhe me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare deri në fund të këtij viti, duke pasur parasyshë se vitin e ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet në BE.

“Unë jam pak i shqetësuar për këtë. Pas shumë vitesh zvarritje, ka ardhur një ambicie e madhe që çdo gjë të përfundojë deri në fund të vitit. Unë mendoj se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë më pak ambicioze dhe se është e nevojshme të përqendrohen në çështje që në thelb nuk janë të mëdha, por që mund të përshkallëzohen – si targat dhe kartat e identitetit. Nëse do të kishte një rregullim të përditshmërisë me disa ide që lidhen me zgjidhjen e çështjeve strategjike, do të ishte një sukses i madh, dhe gjithçka do të zbatohej – më duket se ka pak kohë për këtë”, tha ai.

I pyetur nëse ka rrezik që çdo gjë të dështojë nëse deri në fund të vitit 2024 nuk është dakorduar gjithçka, pra para zgjedhjeve në BE, Groshelj tha se nuke beson në këtë.

“Mendoj se do të arrihet një marrëveshje dhe pastaj gjatë zbatimit do të ketë negociata dhe koordinim të detajeve. Do të shohim se çfarë Komisioni [Evropian] do të vijë pas kësaj, dhe ai do të jetë në gjysmën e dytë të vitit 2024, pas formimit të Parlamentit Evropian. Në thelb, gjërat nuk do të ndryshojnë shumë në këtë drejtim, sepse ka një konsensus, jo vetëm brenda PE-së, por edhe brenda Këshillit të BE-së. Dyshoj se do të ketë ndonjë ndryshim të madh dhe vazhdimësia do të ruhet”, tha eurodeputeti slloven.

Ai gjithashtu është pyetur nëse është e rëndësishme që Serbia të përafrohet me politikën e jashtme të BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe nëse atëherë do të ishte më i favorshëm për Serbinë dokumenti për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën?

“Nuk mendoj se ky plan do të ndryshonte shumë. Rreziku i madh për Serbinë është se, për shkak të qëndrimit të saj ndaj Rusisë, ka krijuar një përshtypje të tillë tek disa shtete anëtare të BE-së, saqë ata tani e shohin Serbinë si një lloj ‘Rusie ballkanike’. Numri i vendeve që kanë këtë pikëpamje po rritet dhe kjo nuk është e mirë. A do të ishte mirë për Serbinë vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë? Sigurisht që po. Kjo do të kontribuonte në forcimin e pozicioneve të saj negociuese në rrugën drejt BE-së. Kjo pikë është gjithmonë në axhendë, sa herë që flisni për Serbinë sot. Kjo çështje tani në Bruksel trajtohet si ‘ose je me ne ose je kundër nesh’ dhe në këtë kontekst do të ishte mirë që Serbia të fillojë procesin e distancimit nga Rusia, të vendosë sanksione dhe të zvogëlojë ndikimin propagandës ruse në opinionin publik”, tha Groshelj. syri.net

Vuçiç: Jam betuar në Kushtetutë e në Ungjillin e Miroslavit, nuk e njoh pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç në një tubim me qytetarë serbë ka folur për dialogun me Kosovën dhe marrëveshjen e mundshme.

Ai ka thënë se s’do të nënshkruajë njohjen e Kosovës dhe sipas tij “s’do të ketë njohje as de facto e as de jure”.

“Unë e di se për çfarë jam betuar, Kushtetutën e Serbisë dhe Ungjillin e Miroslavit. Nuk ka dorëzim, ne nuk do ta nënshkruajmë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Vucic.

Vuçiç ka shtuar se pozita e Serbisë është shumë e vështirë aktualisht.
“Situata gjeopolitike në botë ka ndryshuar në mënyrë më drastike sesa gjatë rënies së Murit të Berlinit, vetëm disa prej nesh bëjnë sikur nuk e shohin se sa e vështirë është pozita e Serbisë”, ka thënë presidenti serb.bw

Shpalosja e platformës së re politike, Vuçiçi paralajmëron vizitë në Kosovë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se nga nesër do të nisë një turne në Serbi.

Vuçiç ka thënë se do të mundohet që të vizitojë 25 rajonet deri në fund të vitit. Ai ka paralajmëruar vizitë edhe në Kosovë, shkruan Tanjug.

“Kësaj radhe do të mundohem t’i vizitoj të gjitha 25 rajonet deri në fund të vitit. Shpresoj se do të mund të shkoj edhe në Kosovë. Do të flasim me njerëz në disa vende, jam veçanërisht i lumtur që do të shkoj në Bosilegrad si president i Serbisë”, tha Vuçiç në mbledhjen e Bordit Kryesor të Partisë Përparimtare Serbe.

Mediat në Serbi janë duke raportuar se presidenti ka nisur krijimin e Lëvizjes Popullore Shtetërore.

Vuçiç pritet që të nisë vizita mbarë vendit në ditët në vijim në mënyrë që ta shpalosë platformën e re politike.

Sipas raportimeve ai do të kërkojë mbështetjen e qytetarëve për “mbrojtjen e Serbisë”, ndërsa takimet e para do t’i fillojë nga Vranja.

Vuçiç është kryetar i Partisë Progresive Serbe, ndërsa në janarin e këtij viti ka pasur paralajmërime se do të japë dorëheqje që aty.bw

Kërcënohen me vdekje dy kandidatë për president të Malit të Zi

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe bashkëshortja e tij, Llidija, morën të premten kërcënime me vdekje përmes rrjetit social, Twitter.

Polica malazeze tha për Radion Evropa e Lirë se është duke u marrë me këtë rast, ndërsa nga Prokuroria Themelore e Shtetit dhanë urdhër që të hetohet se kush e ka bërë kërcënimin nga llogaria në Twitter.

Kërcënimet, që e lidhin fatin e Gjukanoviqit me atë të diktatorit italian, Benito Mussolini, u dërguan nga një llogari me emrin Boris Jankoviq.

Postimi u shoqërua me një fotografi të ekzekutimit të Mussolinit.

Gjukanoviq është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.

Të mërkurën, nga e njëjta llogari në Twitter u dërguan kërcënime me vdekje edhe ndaj deputetes Draginja Vuksanoviq Stankoviq, e cila po ashtu garon në zgjedhjet presidenciale.

Vuksanoviq Stankoviq i raportoi kërcënimet në polici, konfirmuan autoritetet e rendit për Radion Evropa e Lirë.

“Kërcënimet cilësohen si vepër penale e rrezikimit të sigurisë dhe prokuroria përgjegjëse është e njoftuar për çdo gjë”, tha Policia e Malit të Zi.

Gjatë vitit të kaluar, Vuksanoviq Stankoviq mori vazhdimisht kërcënime, prandaj, nga mesi i vitit 2022, është nën mbrojtje 24-orëshe të policisë.

Vuksanoviq Stankoviq tha se kërcënimet që ajo merr, janë të motivuara politikisht dhe se nuk do ta ndalojnë atë nga aktivitetet politike, përfshirë fushatën presidenciale.

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i dënoi kërcënimet ndaj Gjukanoviqit dhe Vuksanoviq Stankoviqit, duke thënë se ato duhet të merren seriozisht.

Ai tha se nuk ka arsye për panik, por i bëri thirrje policisë dhe prokurorisë që të hetojnë çdo kërcënim.

Në zgjedhjet e 19 marsit në Mal të Zi, për president do të garojnë shtatë kandidatë.
Presidenti aktual, Gjukanoviq, e mori mandatin në vitin 2018.

Ai shërbeu si president edhe në periudhën 1997-2003./ REL/

Vuçiq: Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë

RFE/RL

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përsëriti qëndrimet se Serbia nuk do të pajtohet e as nuk do të qëndrojë e heshtur lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës në Kombet e Bashkuara si dhe nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk më shkon në mendje ta nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, tha ai.

Gjatë një interviste në televizionin Happy, Vuçiq tha më 9 mars se këtë qëndrim ua ka shprehur ndërmjetësve ndërkombëtarë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se i dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë në Beograd më 13 dhe 14 mars, dhe se ai gjatë dy ditëve, së bashku me emisarin e BE-së do të tentojë të gjejë rrugën përpara drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmërinë e tij që të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me Lajçakun në Prishtinë.

“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit Kurti më 9 mars.

Ndërkaq, Lajçak tha se me Kurtin ka zhvilluar një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.

Vizitat e Lajçakut në Kosovë dhe Serbi vijnë pasi Kurti dhe Vuçiq më 27 shkurt u pajtuan se nuk ka nevojë për negociata të tjera sa i përket propozimit evropian për normalizimin e raporteve.

Ky dokument, që ende nuk është nënshkruar, synon t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme. Tani, BE-ja po punon me palët në planin e zbatimit të këtij propozimi.

Dokumenti prej 11 nenesh u publikua nga BE-ja më 27 shkurt. Aty nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.

Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.

Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Vritet në pikën e karburantit në Beograd ‘Ranko Eskobari’, pjesë e klanit të Nikshiq

Ranko Radosheviq  i njohur si “Ranko Eskobar”, është vrarë mëngjesin e sotëm rreth orës 11:00 në një pikë karburanti në Beograd, raportojnë mediat serbe.

Siç raportoi Blic, Radosheviq ishte i lidhur me klanin e Veljko Belivuk dhe Marko Mesar.

Sipas informacioneve jozyrtare, Radosheviq ishte anëtar i një grupi kriminal të Nikshiqit që dyshohet se është i afërt me klanin Škaljar dhe të vrarë Jovan Vukotiq.

Sipas informacioneve të para dhe jozyrtare të portalit Nova.rs, bëhet fjalë për një person të njohur më parë për policinë, i cili ndër të tjera merrej me shitjen e makinave të blinduara.

“Emri i tij u përmend në publik, në kontekstin e pronarit të një makine të tillë, e cila u gjet në garazhin e Marko Miljkoviqit, krahut të djathtë të Veljko Belivuk. Ranko R. për publikun njihet edhe si “Ranko Eskobar”, me prejardhje nga Mali i Zi”, shkruan Nova.rs.

Siç raportojnë mediat serbe, një numër i madh i policëve aktualisht ndodhen në Čukaricë, pra rrugës për në Rušanj, ku edhe ndodhi vrasja.

Kush është Ranko Escobar?

Ranko Eskobar drejtonte një biznes te njohur për tregtimin e makinave të blinduara.

Pikërisht një automjet i tillë është gjetur në garazhin e Marko Miljkoviqit, krahut të djathtë të Veljko Belivuk, i cili po gjykohet për shtatë vrasje dhe krime të tjera të rënda.

Emri i Ranko Escobar figuronte në një fletë pronësie të “blindëve”. Sipas informacioneve jozyrtare të Nova-s, Ranko është nga Nikshiqi dhe ka qenë i njohur për policinë në të kaluarën.

Më herët është shkruar edhe se Ranko R. ka qenë i lidhur me anëtarin e klanit kriminal Bežani, Goran Mijatoviq, i cili është vrarë në Beograd. Sipas të njëjtave informacione, Ranko R. merrej edhe me tregtimin e lëndëve narkotike, më saktë kokainës dhe “skank”. syri.net

Hill për marrëveshjen Kosovë – Serbi: Ende askush s’ka pranuar asgjë, duhet të presim

Ambasadori i SHBA’së në Breograd, Christopher Hill, ka folur sërish për takimin e Brukselit në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pavarësisht se shefi i politikës së Jashtme të BE’së, Josep Borrell, pas takimit të 27 shkurtit tha se palët kanë pranuar planin evropian, Hill thotë se ende askush nuk ka pranuar asgjë.

Gjatë qëndrimit të tij në Novi Pazar, në një intervistë për një radio lokale atje ‘Sto Plus’, duke folur për dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Hill ka thënë se është ende herët të jap vlerësime rreth rezultatit të këtij takimi dhe se duhet të presin për bisedime të reja.

“Mendoj se po ecë në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse askush ende nuk ka pranuar për asgjë. Nuk dua të flas për gjëra konkrete e afate, por mendoj se e rëndësishme është që çështjet po zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe që shumë e shohin këtë si një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështje, dhe unë mund të them se kështu është. Duhet vetëm durim”, ka thënë ai.

Në këtë intervistë, ambasadori amerikan në Beograd, ka folur edhe për sanksionet që Serbia duhet të ja vendos Rusisë. Ai ka thënë se Serbia do të duhet të marrë vendim për sanksione ndaj Rusisë, sepse siç vlerësoi ai, po paguan çmim të lartë për mosvendosjen e tyre.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që Serbia të mos presë të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE), por që në procesin e anëtarësimit të harmonizojë politikën e saj me BE-në , duke përfshirë edhe çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

“Duhet ta dimë se Rusia sulmoi brutalisht fqinjin e saj, shumë vende të vogla evropiane vendosën sanksione, megjithëse ishte e vështirë për ta, por e bënë sepse ishte e drejtë. Besoj gjithashtu se Serbia do ta kuptojë këtë, nuk është kurrë vonë për bëj gjënë e duhur”, tha Hill.

I pyetur se çfarë e ngadalëson më shumë përparimin e Serbisë drejt BE-së – mos vendosja e sanksioneve kundër Moskës, progresi i pamjaftueshëm në dialogun me Prishtinën, gjendja e demokracisë apo problemet brenda vetë BE-së, ambasadori Hill tha se përgjigja më e sinqertë do të ishte “të gjitha bashkë”.

“Por më e rëndësishmja është që qytetarët e Serbisë të binden se rruga drejt BE-së është e drejtë dhe ne besojmë se është. Shpresoj që qytetarët e Serbisë ta shohin këtë, jam i vetëdijshëm se ka frustrime dhe pakënaqësi që procesi nuk është më i shpejtë, por më e rëndësishmja është që Serbia është në rrugën e duhur”, tha Hill.

“Serbia ka bërë shumë përparim. Unë nuk pajtohem me pesimistët që thonë se Serbia po shkon në një drejtim të keq. Serbia po shkon në një drejtim të mirë. E di që është jashtëzakonisht e vështirë dhe e ngadaltë, por është në rrugën e drejtë dhe ne do ta mbështesim me aq sa mundemi”, tha ai.

Ai beson se ndikimi i Moskës në Beograd është negativ dhe se rezultatet e Rusisë në Serbi janë të këqija dhe se qytetarët duhet ta shohin vetë.

“Mendimi im është se Rusia nuk po e ndihmon Serbinë në asnjë mënyrë. Ata nuk bënë asgjë për të zgjidhur çështjen e Kosovës, nuk bënë pothuajse asgjë për të ndihmuar ekonomikisht, madje edhe për mbështetjen e tyre energjetike, Serbia duhet të paguajë,” shtoi ai.

Ai tha se marrëdhëniet politike ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së janë duke u përmirësuar, se është i kënaqur me bisedën e fundit mes presidentit Vuçiq dhe sekretarit të shtetit Anthony Blinken dhe se gjërat janë të mira në planin ekonomik.

“Për marrëdhënie më të mira duhet të ketë sa më shumë takime në nivelin më të lartë. Kompanitë amerikane janë të pranishme në Serbi, janë kompani të klasit të parë, me teknologji moderne, jo teknologji të viteve 1970. Vetëm në muajt e fundit , kemi pasur vizitën e dy delegacioneve të biznesit.

“Atyre u pëlqen qëndrimi i Serbisë në prag të BE-së, si dhe fakti që ka ambicie të bëhet pjesë e BE-së”, tha ai.

Hill ndodhet në një vizitë dyditore në Novi Pazar, që është vizita e parë e ambasadorit amerikan në atë qytet pas gati gjashtë vjetësh, gjatë së cilës ai ka biseduar me përfaqësues të vetëqeverisjes lokale, dy bashkësive islame, Këshillit Nacional Boshnjak. dhe të rinjtë.

“Ky rajon është shumë i rëndësishëm për SHBA. Kjo është një zonë dinamike, multikulturore që 25 vjet më parë nuk dihej se në cilën rrugë do të shkonte. U morën vendime të vështira por të drejta në mënyrë që komunitetet të mund të jetonin së bashku. Paqja dhe stabiliteti u ruajtën dhe kjo duhet të shpërblehet për praninë më të madhe të SHBA-së”, tha ambasadori.

Ai shtoi se në një bisedë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e komuniteteve islame dhe Këshillit Kombëtar Boshnjak, ka mësuar për problemet me të cilat ballafaqohen.

“Unë i kam dëgjuar, por sinqerisht shoh progres dhe njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë. Problemet duhet të zgjidhen hap pas hapi. Më e rëndësishmja është ruajtja e paqes dhe sigurisë, askush nuk kishte asnjë kundërshtim për këtë. Për sa kohë që kjo rajoni është paqësor dhe stabil, do të ketë më shumë përfitime dhe do të bëhet një vend i dëshirueshëm për investime të huaja”, tha Hill. syri.net

Opozita zotohet se do ta ndryshojë sistemin politik turk

Kreu i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, i shoqëruar nga liderët e partive tjera opozitare, gjatë një konderencë për media në Ankara. 6 mars. 2023.

RFE/RL

Reuters

Koalicioni opozitar turk është zotuar se do të ndryshojë shumë nga politikat e presidentit aktual, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj.

Të hënën, ky koalicion e zgjodhi liderin opozitar, Kemal Kilicdaroglu, si kandidat për president. Ai do të jetë kundërkandidati i Erdoganit në këto zgjedhje.

Koalicioni – i përbërë nga gjashtë parti – premton që vendi do të kthehet në një demokraci parlamentare, që do të tërheqë politikat ekonomike joortodokse dhe se do të sjellë ndryshim të madh në politikën e jashtme.

Lexoni detajet e programit të tyre politik:

Reformat legjislative dhe ekzekutive

Premtimi kryesor i koalicionit opozitar është kthimi i Turqisë në një sistem parlamentar, për të cilin ata thonë se do të jetë “më i fortë” se ai që ishte në fuqi, përpara se vendi të kalonte në sistemin aktual presidencial më 2018.

Koalicioni premton, gjithashtu, se do ta kthejë Presidencën në një institucion me rol “të paanshëm”, pa përgjegjësi politike.

Presidenti, sipas koalicionit, do t’i ndërpresë lidhjet me partitë politike, do të shërbejë vetëm një mandat shtatëvjeçar dhe më pas do t’i ndalohet angazhimi nga politika aktive.

Autoriteti i Parlamentit për t’u tërhequr nga marrëveshjet ndërkombëtare do të përfshihet në Kushtetutë.

Në administratën publike, bordet dhe zyrat në varësi të Presidencës do të shfuqizohen, dhe detyrat e tyre do të kalojnë në ministritë përkatëse.

Ekonomia

Ky bllok premtoi se do ta ulë inflacionin në numër njëshifror brenda dy vjetëve, i cili u rrit në 55 për qind gjatë muajit shkurt. Një tjetër premtim i koalicionit është edhe rivendosja e stabilitetit të lirës turke, e cila ka humbur 80 për qind të vlerës së saj në pesë vjetët e fundit.

Koalicioni tha gjithashtu se do të sigurojë pavarësinë e Bankës Qendrore dhe do t’i heqë rregullat si për shembull: lejimi i kabinetit për të zgjedhur guvernatorin.

Blloku opozitar premtoi se do të përgatisë legjislacionin për të lejuar Parlamentin të miratojë ligje mbi misionin e bankës, pavarësinë operacionale dhe emërimet e nivelit të lartë.

Opozita u zotua të shkurtojë shpenzimet e Qeverisë duke ulur numrin e avionëve të përdorur nga Presidenca, numrin e automjeteve të përdorura nga nëpunësit civilë dhe duke shitur disa ndërtesa shtetërore.

Planprogrami i koalicionit përfshin edhe shqyrtimin e të gjitha projekteve në kuadër të partneritetit publik-privat. Koalicioni, nëse fiton, tha se do të rishikojë projektin e centralit bërthamor Akkuyu dhe do të rinegociojë kontratat e gazit natyror, duke reduktuar rrezikun e varësisë nga disa vende për importin e gazit.

Politika e jashtme

Blloku opozitar do të miratojë sloganin “Paqe në shtëpi, paqe në botë”, si guri themeltar i politikës së jashtme të Turqisë.

Po ashtu, blloku premtoi se do të “punojë për të përfunduar procesin e pranimit” për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Premtim i opozitës është edhe vendosja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara me një mirëkuptim të besimit reciprok dhe kthimi i Turqisë në programin e avionëve luftarakë F-35.

Sipas bllokut, Turqia do të ruajë marrëdhëniet me Rusinë “me mirëkuptimin se të dyja palët janë të barabarta dhe të forcuara nga dialogu i balancuar dhe konstruktiv”.

Reformat ligjore

Gjashtë partitë janë zotuar të sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit, i cili aktualisht thuhet që është nën kontrollin e Erdoganit dhe aleatëve të tij.

Gatishmëria e gjyqtarëve për t’iu përmbajtur vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të merret parasysh gjatë vlerësimit të tyre.

Të gjashtë partitë në koalicion kanë premtuar reformimin e Bordit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe ndarjen e tij në dy subjekte, të cilat, sipas tyre, do të jenë më të përgjegjshme dhe transparente. Gjithashtu, kanë thënë se do të reformojnë strukturën dhe proceset zgjedhore për gjykatat më të larta, si Gjykata Kushtetuese dhe Këshilli i Shtetit.

Palët kanë premtuar se do të sigurojnë që paraburgimet të jenë përjashtim, një masë që kritikët thonë se është abuzuar nën sundimin e Erdoganit.

Përgatiti: Erjonë Popova

Ky është serbi i arrestuar për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar opinionin publik se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar sot një serb.

Demokracia.com mëson se bëhet fjalë për serbin Zlatan Arsiç, 45 vjeçar, nga fshati Hajnoc i Kamenicës.

Arsiq u arrestua në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Për çka dyshohet Arsiç?

Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se Zlatan Arsiq  dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

Po ashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Z.A., gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, ia ka vënë zjarrin, si dhe ka marrë pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.syri.net

Kilicdaroglu, kundërkandidat i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale turke

RFE/RL

Lideri i opozitës turke, Kemal Kilicdaroglu, është zgjedhur që të jetë kundërkandidati i presidentit aktual turk, Recep Tayyip Erdogan, në zgjedhjet që pritet të mbahen më 14 maj.

Koalicioni opozitar, i përbërë nga gjashtë parti, e zgjodhi atë më 6 mars si kandidat për president.

Kilicdaroglu, 74 vjeç, është kryetar i partisë së dytë më të madhe në shtet. Ai shpreson që ta largojë Erdoganin nga posti i presidentit pas më shumë se dy dekadash në pushtet.

“Tryeza jonë është tryezë e paqes. Qëllimi ynë i vetëm është që ta çojmë shtetin në ditët e prosperitetit, paqes dhe gëzimit”, tha Kilicdaroglu, kryetar i Partisë Popullore Republikane (CHP), gjatë një fjalimi në Ankara.

“Do ta qeverisim Turqinë në bazë të konsultimeve dhe konsensusit”, theksoi ai.

Sondazhet sugjerojnë se garat për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të jenë të ngushta, me bllokun opozitar që është pak në epërsi sesa aleanca qeverisëse.

Blloku opozitar është zotuar se do të heqë dorë nga shumë politika ekonomike të Erdoganit, ato që kanë të bëjnë me të drejtat civile dhe politikat e jashtme.

Shumë po i vlerësojnë zgjedhjet e reja turke si zgjedhjet më të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të kësaj republike.

Ish-nëpunës civil, Kilicdaroglu mund të përfitojë nga kriza ekonomike shumëvjeçare dhe inflacioni në rritje, por po ashtu edhe nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar, që lanë të vdekur më shumë se 46.000 persona në Turqi dhe nxitën kritika ndaj qeverisjes së vendit.

Opozita vendosi për emrin e kundërkandidatit të Erdoganit, pas bisedimeve intensive ditëve të fundit. Partia e krahut të djathtë IYI, të premten, pas 72 orësh bisedime, kundërshtoi kandidatin e opozitës. Por, gjatë takimit të së hënës kjo parti arriti kompromis, pasi Ekrem Imamoglu dhe Mansur Yavas, kryetar të Stambollit, respektivisht të Ankarasë, që vijnë nga CHP, më vonë do të emëroheshin zëvendëspresidentë.

Kilicdaroglu, në fjalimin e tij, po ashtu tha se liderët e pesë partive opozitare do të shërbejnë në postin e zëvendëspresidentit, nëse opozita fiton zgjedhjet.

Erdogan ka përjetuar rënie të mbështetjes popullore, edhe para tërmeteve shkatërruese, pasi vendi po përballet me kosto të lartë të jetesës dhe inflacioni ka arritur deri në 85 për qind. Megjithatë, javën e kaluar, sondazhet thanë se partia e tij, AKP ka arritur të rifitojë shumicën e mbështetjes.

Erdogan asnjëherë nuk është përballur me zgjedhje të vështira, që kur partia e tij fitoi pushtetin më 2002.

Iniciohet rast kundër Dodikut për mohim të gjenocidit në Srebrenicë

RFE/RL

Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë.

Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.

Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.

“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Srpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.

Dodik këtë deklaratë e bëri lidhur me Srebrenicën, pasi Përfaqësuesi i Lartë më 21 shkurt miratoi ndryshimet e Ligjit për Qendrën Memoriale Srebrenica-Potoçari. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.

Kjo nuk është hera e parë që Dodik e mohon gjenocidin që kur ish-përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Valentin Inzko, miratoi Ligjin për ndalimin e mohimit të gjenocidit në fund të korrikut 2021.

Ditë zie për vdekjen e katër fëmijëve në Novi Pazar

RFE/RL

Autoritetet e qytetit të Novi Pazarit, në pjesën jugperëndimore të Serbisë, shpallën të hënën ditë zie, për shkak të vdekjes tragjike të katër fëmijëve në një zjarr.

Me këtë vendim, të gjithë flamujt u ulën në gjysmështizë, objektet e hotelerisë nuk transmetojnë muzikë, ndërsa ngjarjet argëtuese u shtynë.

Katër fëmijë të moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç vdiqën në një zjarr të dielën.

Babai i tyre pësoi djegie në 50 për qind të trupit dhe u transportua në Qendrën Klinike të Serbisë në Beograd, ndërsa nëna u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm në Novi Pazar, njoftoi Radiotelevizioni i Serbisë (RTS).

Zjarri shpërtheu mëngjesin e së dielës në një ndërtesë banimi në Novi Pazar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë tha se zjarrfikësit, menjëherë pas marrjes së informacionit, kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Në njoftim thuhet se zjarrfikësit, me të hyrë në ambientet e përfshira nga zjarri, kanë gjetur katër fëmijë, të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë vdekur nga ngufatja me tym, ndërsa babai dhe nëna kanë mbetur të lënduar në dhomën ngjitur.

Zjarri është lokalizuar dhe më pas është fikur me shpejtësi, ndërsa hetimet do t’i përcaktojnë shkaqet e zjarrit dhe ngufatjes së fëmijëve, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe.

“Vdekja e fëmijëve është tragjedia më e tmerrshme, që prek gjithë shoqërinë”, tha Ministria për Kujdes Familjar dhe Demografi e Serbisë.

“Forumi Shqiptar” fitues i zgjedhjeve në komunën e Tuzit në Mal të Zi

VOA/Ali Salaj

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Tuz të Malësisë tregojnë për një fitore të plotë të koalicionit“ Forumi Shqiptar” të udhëhequr nga Alternativa Shqiptare e kryetarit aktual të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj me Lidhjen Demokratike të Shqiptarëve, Unionin Kombëtar Shqiptar dhe Lidhjen Demokratike në Mal të Zi.

Me mbi 51 për qind të votave të fituara, ky koalicion i forcave politike shqiptare siguroi 18 mandate në Kuvendin e Komunës së Tuzit, i cili numëron 32 vende.

Dymbëdhjetë mandate i fitoi koalicioni “Rruga e Drejtë” i përbërë nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Partia Boshnjake, Social Demokratët dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve.

Nga një mandat morën dy parti të vogla të spektrit politik malazez.

Numri i mandateve të fituara i siguron “Forumit Shqiptar” mundësinë që vet të themelojë qeverinë vendore

Në zgjedhjet e së dielës morën pjesë mbi 66 për qind e të elektoratit, i cili numëron mbi 12.000 votues.

Statusi i komunës së pavarur, Tuzit iu rikthye në shtator të vitit 2018 duke e shkëputur atë nga kryeqyteti i Podgoricës. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës, e më pas një nga komunat urbane të kryeqytetit.

Për gati dy dekada, kërkesa kryesore e forcave politike shqiptare, por edhe e diasporës, ishte pavarësia e plotë e komunës së Tuzit.

Në zgjedhjet e para të vitit 2019, Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç humbi pushtetin në Tuz, e cila deri atëherë kishte një bazë të fortë elektorale dhe mbante pushtetin në këtë komunë urbane.

Mitsotakis kërkon falje, por kjo nuk mjafton

VOAL- Përleshjet mes demonstruesve dhe policisë u zhvilluan të dielën përpara Parlamentit në Athinë, pas një demonstrate të re proteste kundër katastrofës së trenit që të martën shkaktoi 57 të vdekur dhe që i atribuohet një gabimi njerëzor nga drejtuesi i stacionit të Larisës, i cili dyshohet se megjithatë, kanë kontribuar edhe neglizhenca të tjera dhe një rrjet jo-avangardë.

Policia ka numëruar 7500 persona në procesion. Disa prej tyre përdorën kokteje molotov dhe u vunë zjarrin kazanëve të plehrave, ndërsa agjentët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.

Demonstruesit – me pankarta të tilla si “Poshtë qeveria vrastare” – iu përgjigjën thirrjes së studentëve – shumë nga viktimat ishin të rinj në trajnim – punonjës të hekurudhave dhe punonjës të sektorit publik. Trenat dhe metroja janë ende në grevë.

Prandaj zemërimi nuk shuhet, pavarësisht se vetë kryeministri Kyriakos Mitsotakis kërkoi falje për incidentin me një deklaratë solemne mëngjesin e së dielës. rsi-eb

Tuzi mban zgjedhjet lokale

Komuna e Tuzit. Fotografi nga arkivi.

Në Tuz, komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës, më 5 mars mbahen zgjedhjet lokale.

Këto janë zgjedhjet e dyta që kur Tuzi u bë komunë e pavarur.

Nga ora 07:00 deri në orën 20:00, 12.387 banorë do të mund të votojnë në 30 qendra votimi.

Parlamenti lokal ka 32 këshilltarë.

Në këto zgjedhje garojnë shtatë parti dhe koalicione.

Një pjesë e shqiptarëve në Tuz janë myslimanë dhe pjesa tjetër katolikë.

Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri.

Statusin si komunë e pavarur – që i ishte marrë nga viti 1958 – Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi. Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.

Për pothuajse dy dekada, kërkesa kryesore politike e partive shqiptare, por edhe e diasporës, ishte që Tuzi të bëhej komunë.

Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.

Shumica e votave u fituan nga koalicioni i partive shqiptare, Forumi Shqiptar, që mbështetej nga një këshilltar demokrat. Ata formuan qeverisjen lokale të udhëhequr nga Nik Gjeloshaj.

Aksidenti hekurudhor me mbi 40 viktima, shpërthejnë protestat pas katastrofës në Greqi

Aksidenti hekurudhor në Greqi që mori më shumë se 40 jetë njerëzish ka shkaktuar revolta të mëdha tek qytetarët. Pas kësaj tragjedia qytetarë të shumtë kanë protestuar jashtë kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e hekurudhave të Greqisë.

Gjithashtu protesta u mbajtën në Selanik dhe në qytetin e Larisës, pranë vendit ku ndodhi fatkeqësia.

Sakaq qeveria bëri me dije se ngjarja do të hetohet dhe se do të merren masat e domosdoshme për të zbardhur detajet e plota.

Ndërkohë ditë zie kombëtare u shpallën në të gjithë vendin pas ngjarjes së rëndë.bw

Aksidenti me 38 të vdekur në Greqi, reagon MEPJ: Nuk ka shqiptarë mes viktimave!

Ministria e Punëve të Jashtme pas përplasjes së aksidentit tragjik në Greqi, ka sqaruar se mes viktimave nuk ka shqiptarë.

Përplasja e dy trenave, ‘kokë më kokë’ shkaktoi 38 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, shpalli 3 ditë zie kombëtare.

Ndërkohë ekipet e shpëtimit vijojnë kontrollet për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të lënduar.bw

 

Vuçiq thotë se s’ka bisedime për njohjen e Kosovës

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia është e gatshme të punojë në shumë gjëra që dalin nga propozimi evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, megjithatë ai bëri një vërejtje.

“Ka të bëjë me faktin se unë nuk dua dhe nuk mund të bisedoj për njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Vuçiq për televizionin publik serb, RTS më 28 shkurt.

Ai po ashtu tha se një ditë më parë në Bruksel është rënë dakord për më shumë bisedime.

“Nuk është çështja për një nen, një letër, një takim. Dje në Bruksel është biseduar, jemi marrë vesh, do të vazhdojmë, do të ketë më shumë bisedime. Asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiq.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 27 shkurt dhe u pajtuan që të vazhdojnë bisedimet për zbatimin e propozimit evropian për normalizim.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, një ditë pas këtij takimi konfirmoi se liderët e Kosovës dhe Serbisë pranuan propozimin evropian për normalizim dhe se tani po punojnë për modalitetet e zbatimit të marrëveshjes.

Ky propozim synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kurrë nuk kemi negociuar në fshehtësi. Asnjëherë nuk kemi fshehur asgjë”, tha Vuçiq.

Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Çfarë është e gatshme të zbatojë Serbia?

Presidenti i Serbisë konfirmoi se teksti i publikuar nga BE-ja, pas raundit të bisedimeve në Bruksel, më nuk mund të negociohet dhe është shndërruar në një kornizë për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur për nenin që thotë se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare, Vuçiq tha se “prandaj nuk e nënshkrova [propozimin evropian]”.

Vuçiq tha se diskutimet për zbatimin e planit do të ndodhë gjatë vizitave që i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd.

Ai tha se është i gatshëm të negociojë në zbatimin e pjesëve të propozimit, sikurse përfaqësimi rajonal, vulat doganore, lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

I pyetur vazhdimisht nëse është koha për zbatimin e pjesës së propozimit që thotë se anëtarësimi i Kosovës në institucione ndërkombëtare nuk do të bllokohet, Vuçiq tha se ai nuk do të marrë pjesë në zbatimin e “disa çështjeve të caktuara”.

Ai po ashtu konfirmoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është pjesë e udhërrëfyesit për zbatim.

Vuçiq tha se propozimi i BE-së erdhi si një ide nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Ata e sollën dokumentin. Nuk kishte fare mundësi për negociata. Ata thanë kjo është ‘merre ose lëre’”, tha Vuçiq dhe shtoi se kur dikush është në pozitë udhëheqëse në shtet, duhet të mendojë edhe për pasojat.

“Dhe ata më thanë qartë se refuzimi i propozimit do të thotë ndalim të integrimit në BE, ndalim të investimeve, ulje të nivelit të punësimit, tërheqje të investimeve. Dhe një sërë masash të tjera gjithëpërfshirëse, duke përfshirë izolimin e Serbisë nga bota”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se është e rëndësishme që palët të flasin dhe Serbia të jetë në tryezë të bisedimeve.

“Ose do të qëndrojmë në bisedime ose do të vuajmë pasoja të rënda si në vitet ‘90”, tha Vuçiq.

Në përgjigje të kritikave se ka tradhtuar interesat kombëtare, Vuçiq tha se gjatë mandatit të tij ai do të vazhdojë të punojë për interesat e Serbisë.

“Nëse njerëzit mendojnë të kontrollojnë nëse gëzoj besimin e popullit, të dalin në referendum nëse mbledhin dy të tretat e shumicës, nuk është problem”, tha ai, duke iu përgjigjur kritikave nga partitë e djathta që kërkuan dorëheqjen e tij.

Pas takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian tha se palët janë shprehur të gatshme të punojnë në zbatimin e propozimit. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më pas, BE-ja planifikon që në mars të ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në takim për të diskutuar për zbatimin e propozimit evropian.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Të paktën 32 të vdekur nga përplasja e trenave në Greqi

Pamje nga zona e aksidentit në Greqi.

Një tren me pasagjerë është përplasur me një tren mallrash në veri të Greqisë, duke lënë 32 të vdekur dhe 85 të plagosur.

Aksidenti ka ndodhur në qytetin Tempe, pak para mesnatës.

Disa pjesë të trenit kanë dalë nga binarët dhe kanë marrë flakë.

Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kërkimet në zonën e aksidentit.

Të mbijetuarit kanë thënë se shumë pasagjerë kanë dalë nga dritaret për shkak të presionit të lartë.

“Ka pasur shumë pjesë të mëdha të çelikut”, ka thënë Vassilis Polyzos, banor lokal që ka shkuar menjëherë në skenën e aksidentit.

“Trenat janë shkatërruar plotësisht”.

Ai ka thënë se njerëzit kanë qenë të çorientuar dhe të frikësuar teksa kanë dalë nga treni.

“Njerëzit, natyrisht, kanë qenë të frikësuar – shumë të frikësuar. Ata kanë kërkuar përreth, nuk e kanë ditur as ku janë”, ka thënë ai.

Zyrtarët e spitalit në qytetin e afërt Larisa, kanë thënë se të paktën 25 persona kanë lëndime serioze.

Shkaku i përplasjes nuk dihet ende. rel

Pavarësisht kundërshtimit të Schmidt, në Republikën Sërpska hyn në fuqi Ligji për pronën

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Ligji për pronën shtetërore ka hyrë në fuqi në Republikën Sërpska, pavarësisht përpjekjeve të përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, për ta bllokuar atë.

Ligji për pronën e paluajtshme shtetërore që përdoret për funksionet e autoriteteve publike hyrë në fuqi më 28 shkurt, i tha Radios Evropa e Lirë autoriteti përgjegjës për çështjet pronësore në entitetin e Republikës Sërpska.

Ky ligj po shihet si përpjekje e Republikës Sërpska për të transferuar pronën shtetërore nga Bosnja në entitetin serb.

Zbatimi i ligjit është në kundërshtim me vendimet paraprake të Schmidt për të shfuqizuar dekretin origjinal të krijimit të ligjit dhe vendimit të tij të 27 shkurtit për të pezulluar hyrjen në fuqi të ligjit deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës.

Republika Sërpska ka thënë se ligji synon të sigurojë që pronat e përdorura nga autoritetet e Republikës Sërpska, përfshirë edhe qeveritë lokale, ndërmarrjet publike, institucionet publike dhe departamentet e tjera të themeluara nga Republika Sërpska, t’i përkasin asaj.

Schmidt tha më 27 shkurt se çështja e pronës shtetërore “nuk mund të zgjidhet me veprime të njëanshme dhe ua kujtoj të gjithë vendimmarrësve se Asambleja Parlamentare e Bosnjë e Hercegovinës është vendi i duhur për ta zgjidhur këtë çështje”.

Ai tha se derisa të merret vendimi nga gjykata “duhet të shmanget pasiguria ligjore”.

Schmidt kishte tentuar të bllokonte ligjin vitin e kaluar duke e shpallur jokushtetues dekretin e lëshuar nga Zhelka Cvijanoviq, që atëbotë ishte presidente e Republikës Sërpska. Ai po ashtu tha atëbotë se Gjykata Kushtetuese e Bosnjës duhet të vendosë për këtë çështje, por njëkohësisht u bëri thirrje politikanëve në shtet që të ulen dhe diskutojnë për të ardhmen e pronave shtetërore dhe të arrijnë një zgjidhje të arsyeshme.

Vendimi i 12 prillit të vitit 2022, shënon herën e parë që Schmidt përdori fuqitë që ia mundëson zyra e tij për të vendosur për ligje apo për t’i ndryshuar ato, apo për të hequr dhe emëruar zyrtarë shtetëror. Zyra e Përfaqësuesit të Lartë i mori këto fuqi për të zbatuar marrëveshjen e paqes që i dha fund luftës në Bosnjë më 1992-95.

Pavarësisht vendimit të Schmidtit, Ligji për pronat u publikua në Gazetën Zyrtare dhe u miratua nga Asambleja e Republikës Sërpska më 10 shkurt.

DW: Vuçiçi akuzohet si ‘tradhtar’!

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është vendosur në shënjestër të kritikave të mëdha të opozitës dhe disa mediave në Beograd. Ndërsa ai pohon se së shpejti do të përgjigjet.

Në profilin e tij në Instagram ai ka postuar një mesazh pas kthimit nga Brukseli dhe ka paralajmëruar një fjalim tjetër “të rëndësishëm” për sonte, ku do të shpjegojë se “çfarë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Bruksel”.

Mesazhi i Vuçiqit – opozita dhe mediat po përhapin rrena

Në mesazh ai falënderon qytetarët e Serbisë “për kujdesin dhe mbështetjen tuaj gjatë një dite të vështirë të djeshme”. “Arritëm në Beograd në orët e hershme të mëngjesit dhe tani po analizoj se çfarë ka ndodhur. Ne luftuam sa më shumë që ishte e mundur në kushte të vështira, luftuam për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdimin e investimeve në vendin tonë, për të mbajtur betimin tim dhe Kushtetutën e Serbisë si dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, deklaroi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë sulmoi “mediat manjate” (siç i quan ai mediat opozitare në Serbi), por për herë të parë ai sulmoi edhe Radio Televizionin e Serbisë dhe agjencinë e lajmeve Tanjug, se “po përhapin gënjeshtra për të”. Ndaj ka vendosur që sonte në orën 21:00 t’u drejtohet qytetarëve të Serbisë “për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në Bruksel”.

“Sonte po i përgjigjem të gjithë manipuluesve politikë dhe mediatikë që do të shkelnin vendin e tyre për një thërrime pushteti. Serbia nuk ka çmim. Ne do t’i mundim ata. Serbia do të fitojë”, ka paralajmëruar Vuçiq.

 

Vuçiqi “është tradhtar”

Opozitarët në Beograd thonë se Vuçiqi e ka pranuar dje de-facto pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë “tradhti”. “Marrëveshja nga Brukseli është kolaps i plotë i politikës së jashtme të Vuçiqit. Me të nuk u arrit asgjë dhe jemi aty ku ishim në fillim kur Vuçiq erdhi në pushtet”, thotë kryetari i lëvizjes SRCE (ZEMRA), Zdravko Ponosh.

Savo Manojloviq, drejtori i fushatës “Kreni-promeni” (Nisu ndrysho), thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke pranuar planin franko-gjerman, ka mundësuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ta bëjnë këtë tani. Lideri i partisë ultradjathtiste Dveri, Boshko Obradoviq, pohon se në propozimin e dakorduar bëhet fjalë për “përmbysjen e Kushtetutës dhe njohjen e hapur të pavarësisë së Kosovës”.

“Neni 4 paragrafi 2 i marrëveshjes franko-gjermane, të cilën Vuçiq e pranoi mbrëmë në Bruksel dhe BE-ja e shpalli publikisht thotë: ‘Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Kjo është një njohje e hapur e shtetit të rremë të Kosovës. Ky është rrënim i Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, pohon Obradoviq.

Vuçiqi “nuk është tradhtar”

 

Ndësa Vuçiqin e mbrojnë bashkëpartiakët e tij. Ish-ministrja e partisë së tij, Zorana Mihajloviq u bëri thirrje të gjithë politikanëve dhe figurave publike që të tregojnë përgjegjësi për propozimin e marrëveshjes evropiane për çështjen e Kosovës dhe të tregojnë mirëkuptim për Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, sepse ajo është “e drejtë, e përgjegjshme dhe demokratike”. Duke vënë në dukje se tani është momenti për një vendim për propozimin e Evropës dhe SHBA-së për çështjen e Kosovës, Zorana Mihajloviq tha se “pranimi i tij nuk do të thotë njohje e Kosovës” dhe as “tradhti”, siç kritikojnë disa përfaqësues të opozitës.

“Është një vendim që duhet të sjellë atë që të gjithë kanë mbrojtur prej vitesh – paqe, bashkëjetesë, një jetë më të mirë për serbët dhe shqiptarët”, thotë Mihajloviq. “E kaluara nuk është opsion! Ne duam të jetojmë në paqe, pa kriza dhe situata krize, duam të punojmë, të jetojmë dhe të qeshim e jo të dëgjojmë lajme për fëmijë të lënduar në Kosovë. Ne duam të merremi me teknologjitë e reja dhe tranzicionin e gjelbër, jo me armë, drone vetëvrasëse rozë apo jeshile, pajisje ushtarake dhe aludime për konflikte të vazhdueshme. Edhe serbët edhe shqiptarët duhet të zhvillohen”, konstaton ajo.

Petkoviq: Nervozizëm i madh në bisedime

RFE/RL

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në takimin e sotëm në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “po thyhen shtiza” për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Duke folur nga Brukseli për Televizionin Pink të Serbisë, Petkoviq tha se Kurti “po përpiqet në çdo mënyrë ta shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit”, ndërsa Vuçiq “insiston pikërisht në të”.

“Kemi manovrime të Albin Kurtit dhe, në anën tjetër, presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili po lufton për Marrëveshjen e Brukselit [për themelimin e Asociacionit]. Për këtë po thyhen shtiza dhe ka një nervozizëm të madh. Do të shohim se si do të zhvillohen gjërat deri në fund të ditës”, tha Petkoviq, transmetojnë agjencitë serbe të lajmeve.

I pyetur nëse do të nënshkruhet ndonjë gjë sonte në Bruksel, ku po diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Petkoviq tha se sot “nuk është kurrfarë dite D”, duke iu referuar figurativisht ditës ku pritet të ndodhë diçka e rëndësishme.

Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të formohet asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq këmbëngul në themelimin e tij.

Propozimi i BE-së, për të cilin po diskutojnë palët, nuk e përmend në mënyrë specifike formimin e Asociacionit, por kërkon nga të dyja vendet që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ky dialog, i cili ka nisur në vitin 2013, ka prodhuar dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar.

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim propozimin evropian.

Vuçiq: Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, para udhëtimit të tij në Bruksel, se do ta veprojë ashtu siç është më së miri për vendin e tij.

“Atyre që paraprakisht po përgatiten të na sulmojnë – sepse do të nënshkruajmë diçka, se do të jemi tradhtarë, dhe paraprakisht e dinë se jemi fajtorë, dhe se po kthehemi në vitet ‘90 – mund t’iu them të mos shqetësohen. Nuk do të ketë as kapitullim, as kthim në vitet ‘90. Serbia do të ecë përpara sado e vështirë të jetë dhe ne do të arrijmë të luftojmë për të”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Instagram.

Ai do të takohet në pasditen e së hënës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se, presin që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, propozimi parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Thirrjen e njëjtë ia kanë bërë Kurtit edhe tre liderët evropianë – presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni – në një letër të nisur të dielën.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Kosovës, së fundi është duke iu rritur trysnia për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Mirëpo në BE nuk kanë asnjë dyshim që me pranimin e propozimit të BE-së, pranohet edhe obligimi për Asociacionin.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

I shpëtuan luftës në Ukrainë, por vdiqën në tërmetin e Turqisë, historia tragjike e nënës me dy fëmijë që humbën jetën nën rrënoja

Julia Petrov dhe dy fëmijët e saj, të cilët ikën nga lufta në Ukrainë dhe u strehuan në Turqi, humbën jetën në Hatay pas tërmetit të parë në Kahramanmaraş. Ishte Vasyl Bodnar, ambasadori i Ukrainës në Ankara ai që konfirmoi lajmin. “Për fat të keq, 6 nga qytetarët tanë ukrainas humbën jetën, ndërsa 6 të tjerë rezultojnë të zhdukur.”, tha ai.

Julia Petrov iku me fëmijët e saj Zakhar (10) dhe Matvii (5) pas luftës Ukrainë-Rusi që filloi më 24 shkurt 2022 dhe u strehua në Turqi. Duke lënë burrin e saj në Ukrainë, që ishte ushtar në Forcat e Armatosura të Ukrainës, Petrov u vendos me një të afërm me 2 fëmijët e saj në lagjen Antakya të Hatay. Ndërtesa ku jetonin Petrov dhe fëmijët e saj u shkatërrua nga tërmeti me magnitudë 7.7 që ndodhi më 6 shkurt në lagjen Pazarcık të Kahramanmaraş.

Petrov dhe dy fëmijët e saj mbetën të bllokuar nën rrënoja. Burri i saj, i cili u plagos gjatë luftës dhe po trajtohej në vendin e tij, kontaktoi Ambasadën e Ukrainës në Ankara. Babai, i cili mësoi se gruaja dhe fëmijët e tij ndodheshin në rrënoja, e mori lajmin e hidhur ditën që erdhi në Turqi. Trupat e Petrov dhe të dy fëmijëve u nxorën nga rrënojat më 14 shkurt dhe u dërguan në Ukrainë.bw

Autobusi i drejtuar nga një shqiptar, i përmbysur në rrugën me borë, pamjet nga aksidenti në Kroaci. 1 i vdekur

Pamjet që shihni tregojnë autobusin e drejtuar nga një shqiptar të përmbyur në rrugë në Kroaci, ku për pasojë një person humbi jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:43 në autostradën A1 ndërmjet kryqëzimit Brinje dhe kryqëzimit Ogulin në drejtim të Zagrebit.

Mediat kroate raportojnë se mjeti drejtohej nga një shtetas shqiptar, 58 vjeç, ndërsa për arsyeje të panjohura, ka devijuar majtas duke u përplasur me trafikndarësen e rrugës e më pas autobusi është përmbysur.

Nga aksidenti një person thuhet se ka ndërruar jetë, ndërsa të tjerë kanë mbetur të plagosur.bw


Send this to a friend