VOAL

VOAL

Greqi, dy të arrestuar pas vrasjes së gazetarit Giorgos Karaivaz

Dy persona janë arrestuar në lidhje me vrasjen e gazetarit Giorgos Karaivaz në vitin 2021, njoftoi ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarëve, Takis Theodorikakos.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri vuri në dukje se autoritetet kishin premtuar se rasti do të zgjidhej edhe nëse do të zgjaste shumë, duke shtuar se hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht vrasjen e Karaivazit.

Në një deklaratë të veçantë, selia e Policisë Helene tha se dy personat e arrestuar janë shtetas grekë, të moshës 40 dhe 48 vjeç.

Karaivaz u qëllua gjashtë herë jashtë shtëpisë së tij në bregdetin jugor të Attica Alimos, më 9 prill 2021, nga dy burra me motoçikletë.

Edhe pse Karaivaz kishte bashkëpunuar me disa medie si dhe kishte drejtuar edhe një faqe të tijën në internet, ai nuk kishte raportuar ndonjë kërcënim dhe nuk kishte kërkuar mbrojtje nga policia.

Mediat dhe kolegët e viktimës dyshojnë se vrasësit kishin vepruar në emër të kriminelëve, aktivitetet e të cilëve gazetari i kishte hetuar.

Në atë kohë, rasti shkaktoi një protestë ndërkombëtare.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e dënoi aktin, duke thënë se shpresonte që kriminelët së shpejti do të silleshin përpara drejtësisë.

Ai ishte i martuar dhe kishte një fëmijë.

Emërohet përbërja e re e Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate

Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, 28 Prill 2023.

RFE/RL

Dhoma e Përfaqësuesve e Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, konfirmoi emërimin përbërjes së re të Qeverisë së Federatës, në një seancë të jashtëzakonshme në Sarajevë, të premten, më 28 prill.

Në favor të emërimit të ministrave të rinj dhe të kryeministrit të këtij entiteti të Bosnjë e Hercegovinës, votuan 51 përfaqësues, dy ishin kundër dhe një abstenoi.

Paraprakisht, përfaqësuesit e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) dhe Frontit Demokratik, parti opozitare në Dhomën e Përfaqësuesve të Parlamentit të Federatës boshnjake-kroate, e braktisën seancën.

Qeveria e entitetit ka kryeministrin dhe 16 ministra, të cilët bënë betimin solemn në seancën e Dhomës së Përfaqësuesve.

Përbërja e re do të përfshijë ministra nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) i Bosnjë e Hercegovinës, Partia Socialdemokrate (SDP) e Bosnjë e Hercegovinës, HDZ 1990, Partia jonë dhe partia Populli dhe Drejtësia (Narod i Pravda).

Seanca e Dhomës së Përfaqësuesve u mbajt një ditë pasi përfaqësuesi i lartë në Bosnjë e Hercegovinë, Christian Schmidt, vendosi ndryshime në Kushtetutën e Federatës boshnjake-kroate, me qëllim të formimit sa më të shpejtë të Qeverisë së kësaj federate.

Më 27 prill, Schmidt, ndër të tjera, mori një vendim të përkohshëm, i cili vlen vetëm për këtë cikël zgjedhor. Kjo mundësoi formimin e qeverisë së re, e cila nuk u formua për gati shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, për shkak të kundërshtimit nga Partia e Veprimit Demokratik, partia kryesore boshnjake në Bosnjë e Hercegovinë.

Kryeministër i Federatës boshnjake-kroate u emërua Nermin Nikshiq, kryetar i SDP-së së Bosnjë e Hercegovinës.

OHR dhe Ambasada e SHBA-së përshëndesin formimin e qeverisë

Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) përshëndeti “emërimin e shumëpritur të qeverisë” në Federatën boshnjake-kroate dhe “zbatimin e vullnetit të votuesve të shprehur në zgjedhjet e tetorit”.

Përmes një komunikate për media, OHR ka tënë se qeveria e re duhet të adresojë shpejt nevojat e qytetarëve.

Kjo zyrë i bënë thirrje qeverisë të miratojë “reforma urgjente dhe të nevojshme në mënyrë që Bosnjë e Hercegovina të ecë përpara në rrugën e anëtarësimit në BE”.

“Çdo qeveri e re, pavarësisht se cilat parti e formojnë shumicën, në mënyrë parësore duhet t’u përkushtohet qytetarëve”. tha OHR-ja.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnjë e Hercegovinë, ka uruar qytetarët e këtij vendi për formimin e qeverisë së re të Federatës.

“Tani është koha që koalicioni qeverisës të fillojë qeverisjen dhe zbatimin e reformave jetike të nevojshme për të rritur ekonominë e Federatës, për të forcuar sundimin e ligjit, për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar shërbimet sociale”, thuhet në një shkrim të ambasadës në Twitter.

Abasada amerikane ka shtuar se shpreson që qeveria e re të shfrytëzojë mundësinë t’iu ofrojë qytetarëve të Federatës qeverisjen që ata duan dhe meritojnë.

Nikshiq: Ndalja shpërnguljes nga Bosnja, detyrë e Qeverisë

Planet e përbërjes së re të Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate i prezantoi Nermin Nikshiq (SDP), i cili u emërua kryeministër i entitetit.

Nermin Nikshiq, kryeministër i ri i Federatës boshnjake-kroate.

Nermin Nikshiq, kryeministër i ri i Federatës boshnjake-kroate.

Ai theksoi se përballja me rritjen e inflacionit është një nga sfidat kryesore.

Nikshiq theksoi se ekonomia e Bosnjë e Hercegovinës po rimëkëmbet më ngadalë dhe më vështirë pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ekonomia, siç th ai, është prekur edhe nga situata e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

“Federata duhet të jetë më e mirë me çdo qeveri të re. Besoj se do të bëhemi shembull i praktikës së mirë politike”, tha ai, duke paralajmëruar, ndër të tjera, programe stimuluese për eksportuesit, lehtësira për regjistrimin e kompanive të reja, si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

Nikshiq poashtu tha se Qeveria do të punojë për sigurimin e kujdesit shëndetësor më cilësor, për futjen e kategorisë së të ashtuquajturit pension social, si dhe forcimin e institucioneve për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një nga detyrat, sipas tij, do të jetë ndalimi i shpërnguljes së njerëzve nga Bosnjë e Hercegovina, sepse, siç tha ai, “500 mijë njerëz janë larguar” në tetë vjetët e fundit.

“Qëllimi i masave është kthimi i qytetarëve që u larguan nga Bosnjë e Hercegovina, në valën e migrimit në periudhën e pasluftës. Njerëzit u shpërngulën dhe humbën shpresat. Duhet të tregojmë se mund të jemi më mirë”, theksoi ai.

Pakënaqësia me vendime e Schmidt

Para votimit për Qeverinë e re të Federatës boshnjake-kroate, përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF) të opozitës, e më pas përfaqësuesit e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) u larguan nga seanca e Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa deputetë u larguan nga seanca, para se të votoheshin ministrat e rinj dhe kryeministri.

Disa deputetë u larguan nga seanca, para se të votoheshin ministrat e rinj dhe kryeministri.

Përfaqësuesi i FD-së, Mahir Meshalliq, i cili protestoi me zë të lartë gjatë fjalimit të Nikshiqit, tha se do t’u bashkohet qytetarëve që protestonin para ndërtesës së Parlamentit, kundër emërimit të Qeverisë.

“Ky është një sulm brutal ndaj rendit kushtetues me qëllim të formimit të një qeverie me karakter okupues, e cila do ta orientojë Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës kah Zagrebi”, tha Meshalliq.

Përfaqësuesi i SDA-së, Nezir Piviq, vlerësoi se po bëhen përpjekje që qeveria të behet përmes detyrimit.

“Demokracia u suspendua plotësisht. Çfarë tjetër mund të thuhet tjeter, kur vendosen rregullat pas përfundimit të garës”, tha Piviq, duke iu referuar vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare Christian Schmidt.

Përfaqësuesit e tjerë të SDA-së dhe partive të tjera që nuk janë pjesë e koalicionit të ri qeverisës në Parlamentin e Federatës boshnjake-kroate, shprehën kundërshtimet e tyre ndaj vendimeve të përfaqësuesit të lartë, duke theksuar se qëllimi i tyre është “të mbrojnë politikën e HDZ-së”.

Pse u vonua formimi i Qeverisë?

Qeveria e Federatës boshnjake-kroate u formua gati se shtatë muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

Formimi u vonua për shkak se Lidija Bradara (HDZ e Bosnjë e Hercegovinës), kryetarja e këtij entiteti nga radhët e popullit kroat, nuk e kishte mbështetjen për emërim nga ana e pëlqimin për dy nënkryetarëve.

Pëlqimin për emërimin e ministrave të rinj dhe të kryeministrit, paraprakisht e dha nënkryetari nga radhët e popullit serb, Igor Stojanoviq (SDP).

Emërimi u kundërshtua nga Refik Lendo, nënkryetari i Federatës nga radhët e popullit boshnjak, i cili këmbënguli që SDA-ja, si partia më e madhe boshnjake, të jetë pjesë e saj.

SDA nuk është pjesë e koalicionit politik, i cili u formua pas zgjedhjeve të përgjithshme, duke qenë se HDZ e Bosnjë e Hercegovinës dhe partitë e mbledhura rreth SDP-së nuk dëshiruan të bëjnë koalicion.

Më 27 prill, përfaqësuesi i lartë, përmes masës së përkohshme, konfirmoi vendimin për emërim, të cilin e kishte dërguar Bradara dhe e kishte nënshkruar Stojanoviq, por pa nënshkrimin e Lendos.

Deri në vendimin e tij, presidenti i Federatës boshnjake-kroate i propozoi Dhomës së Përfaqësuesve një qeveri të re të entitetit dhe për këtë ai duhej të merrte pëlqimin e të dy nënkryetarëve.

Përbërja e mëparshme e Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate u emërua në mars të vitit 2015, pas zgjedhjeve të mbajtura gjysmë viti më parë. Ajo përbëhej nga SDA, HDZ-ja e Bosnjë e Hercegovinës dhe partia Aleanca për një të ardhme më të mirë.

Pas zgjedhjeve në vitin 2018, për shkak të mosmarrëveshjeve politike dhe mungesës së një shumice të qartë parlamentare, nuk u emërua ekzekutivi i ri i entitetit, duke përfshirë kryeministrin dhe zëvendëskryeministrat.

Seancë dëgjimore Abazoviqit për shkak të votës për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Prishtinë më 14 prill 2023.

RFE/RL

Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare i Parlamentit të Malit të Zi e ka caktuar për 3 maj seancën dëgjimore të kryeministrit në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, lidhur me mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.

Seanca dëgjimore e Abazoviqit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.

“Të na shpjegojë metodën, me të cilën është vendosur që të përkrahet Kosova si anëtare e Këshillit të Evropës. Kjo çështje është e diskutueshme. Vendimi është marrë tepër lehtë kur janë duke u zhvilluar negociata të rëndësishme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Lekiq në takimin e Komisionit.

Ai pretendon se hapja e kësaj çështjeje “nuk përfaqëson një politikë antishqiptare”.

Fronti Demokratik njoftoi më herët se vendimi për pranimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës paraqet një mundësi për të filluar mbledhjen e nënshkrimeve në kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe për tërheqjen e vendimit të Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviq theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale.

Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet.

Asambleja e Republikës Sërpska kërkon dorëheqjen e serbëve nga Kushtetuesja e Bosnjës

RFE/RL

Asambleja e Republikës Sërpska (RS) miratoi të mërkurën, më 26 prill, konkluzionin, përmes të cilit u bën thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës nga radhët e popullit serb, të japin dorëheqjen.

Konkluzioni hyn në fuqi një ditë pas miratimit dhe zgjat, siç thuhet, derisa Asambleja e Republikës Sërpska të marrë një vendim tjetër.

Në favor të konkluzionit votuan 47 deputetë nga 68 sa ishin të pranishëm. Asambleja e Republikës Sërpska përbëhet nga gjithsej 83 deputetë.

Shkak për një vendim të tillë, siç deklaruan përfaqësuesit e partive në pushtet, janë veprimet “anti-Dejton” dhe “antikushtetuese” të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, duke iu referuar posaçërisht vendimeve të asaj gjykate për pronën shtetërore të Bosnje e Hercegovinës.

Asambleja i ngarkoi përfaqësuesit e Republikës Sërpska në institucionet e Bosnje e Hercegovinës që të përgatisin sa më shpejt Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, me të cilin do të përcaktohej përbërja pa gjyqtarë të huaj.

Kryeministri i Republikës Sërpska, Radovan Vishkoviq, theksoi gjatë debatit se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës mund të marrë vendime pa gjyqtarët serbë, por do të humbasë “ligjshmërinë dhe legjitimitetin”.

“Do të humbin gjysmën e Bosnjës dhe Hercegovinës, do ta humbin pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë në atë institucion. Ashtu siç i mbajtën zgjedhjet në Kosovë me dy ose tre për qind pjesëmarrje dhe dolën vetëm 13 serbë. Por, zyrtarët evropian çdo mbrëmje garojnë duke thënë se kjo është legjitime, e pranueshme për ta. Kështu do të përpiqen të njohin edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Vishkoviq.

Lidhur me kërkesën që gjyqtarët nga Republika Sërpska në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës të japin dorëheqjen, u diskutua në kontekstin e konkluzioneve të Asamblesë së Republikës Sërpska nga 17 shkurti i vitit 2020, kur deputetët miratuan një dokument në lidhje me “aktivitetet anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës”.

Aktualisht, në Gjykatën Kushtetues është vetëm një gjyqtar nga radhët e popullit serb, Zllatko Knezheviq, sepse mandati i Miodrag Simoviqit përfundoi nëntorin e kaluar kur ai mbushi 70 vjeç.

Asambleja e Republikës Sërpska nuk u mblodh për të zgjedhur një gjyqtar të ri.

“Nuk është e njëjta gjë nëse njeriu ynë është ulur atje apo njeriu ynë i bindet, respekton dhe zbaton përfundimin e Asamblesë së Republikës Sërpska”, theksoi Vishkoviq.

Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës përcakton që Asambleja e Republikës Sërpska i zgjedh dy gjyqtarë nga gjithsej nëntë në atë organ gjyqësor.

Seanca është mbajtur zyrtarisht me kërkesën e 29 deputetëve.

Folësi kryesor, Igor Zhuniq, sheg i Grupit Parlamentar të Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, theksoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është shndërruar nga një “mbrojtës i Kushtetutës në një kushtetutë-bërës”.

Zhuniq tha se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës është kthyer në një “faktor destabilizimi” dhe se ajo shërben si një “armë politike për shpronësimin” e Republikës Sërpska.

Zhuniq shtoi se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës, me vendimet e saj po përpiqet të konfiskojë pronën e Republikës Sërpska dhe se ky entitet nuk e ka dhënë pëlqimin për zgjerimin e Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës kur bëhet fjalë për pronën.

Si shembull, ai përmendi masën e përkohshme, me të cilën Gjykata Kushtetuese e Bosnjës ndaloi zbatimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, i cili përdoret për funksionimin e autoriteteve publike të Republikës Sërpska, gjë që, siç u theksua, është antikushtetuese.

U miratua edhe Informacioni për konkluzionet e vitit 2021

Deputetët miratuan edhe Informacionin për konkluzionet e miratuara më 10 dhjetor të vitit 2021, në Asamblesë së Republikës Sërpska, kur deputetët ngarkuan qeverinë e entitetit që dërgojë në procedurë ligjet për tatimin mbi vlerën e shtuar, për akcizën, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Republikës Sërpska, si dhe ligjet e fushës së mbrojtjes dhe sigurisë.

Në dokumentin e ri, të miratuar, nuk përcaktohet një afat kohor, por është vendosur formulimi “kur të plotësohen kushtet e duhura”.

Të gjitha këto ligje ekzistojnë në nivelin e Bosnjë e Hercegovinës, sepse bëhet fjalë për kompetenca shtetërore. Kushtetuta e Bosnjë e Hercegovinës nuk lejon kthimin e njëanshëm të juridiksionit nga shteti te entiteti.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj vendimit të mëparshëm të Asamblesë për tërheqjen e pëlqimit për të katër pikat e përmendura, kompetencat e transferuara, por rezervojmë të drejtën të marrim vendime të pavarura kur dhe nëse është e nevojshme, pa u kufizuar në afate kohore”, theksoi Igor Zhuniq.

Ramiz Sallkiq, anëtar i Klubit të deputetëve “Lëvizja për shtetin”, reagoi ndaj qëndrimeve të partisë në pushtet, duke thënë se Republika Sërpska po e shembë Bosnjë e Hercegovinën duke mos respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të saj.

Ai, gjithashtu, theksoi se qytetarët e Republikës Sërpska jetojnë nga “Bosnje e Hercegovina, përfitimet dhe paratë e saj nga Administrata e tatimeve indirekte”.

Sallkiq kritikoi gjithashtu shpenzimin, siç pretendon ai, të 750,000 markave (rreth 380,000 euro) për festimin e 9 janarit si Dita e Republikë Sërpska, e cila u shpall jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Bosnje e Hercegovinës.

Duke iu përgjigjur Sallkiqit, kryetari i Asamblesë së Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq, pohoi se qytetarët e Republikës Sërpska dhe Federata boshnjake-kroate financojnë Bosnjën, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina nuk e financon Republikën Sërpska “me asnjë qindarkë”.

Partitë opozitare e kanë quajtur diskutimin si “farsë”, marrë parasysh se, siç kanë thënë, po diskutohen për konkluzione të miratuara më parë, të cilat nuk janë zbatuar kurrë.

“Për ne janë problem të gjitha deklaratat tuaja, përfundimet, deklaratat që janë shkronja të vdekura në letër. Ju i keni bërë të pakuptimta dhe i keni zhvlerësuar të gjitha konkluzionet e Asamblesë kohët e fundit”, tha Vukota Govedarica, deputet i Partisë Demokratike Serbe (SDS).

Govedarica tha se shpreson që në seancë do të shqyrtohet edhe “diçka tjetër”.

“Ju po ngrini një atmosferë me tone të larta, ndaj jam i shqetësuar për të gjitha këto, për këto dy informacione që keni dërguar”, tha Govedarica.

Çfarë i parapriu seancës së posaçme?

Seanca e Asamblesë u mbajt dy ditë pasi liderët e partive parlamentare në Republikën Sërpska, pa përfaqësues të opozitës, nënshkruan planin për veprimin e përfaqësuesve të këtij entiteti në institucionet e Bosnjë e Hercegovinës, i cili përmban 21 pika.

Dokumenti u nënshkrua nga tetë liderë të partive të koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, me iniciativën e Millorad Dodikut, president i këtij entiteti dhe shef i partisë më të madhe, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur.

Plani, ndër të tjera, thekson të drejtën për vetëvendosje, “kthimin e kompetencave të marra” nga Republika Sërpska dhe mundësinë që ky entitet t’i ofrojë Federatës boshnjake-kroate “nënshkrimin e një marrëveshjeje mbi shkëputjen paqësore” nëse, siç theksohet, “vazhdojnë veprimet anti-Dejton të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës dhe përfaqësuesve politikë nga Federata ndaj Republikës Sërpska”.

Në konferencën për shtyp, pas nënshkrimit të planit, Dodik theksoi se qëllimi i planit është mbrojtja e pronës së Republikës Sërpska, e cila, siç thotë ai, reflekton respektimin e Marrëveshjes së paqes të Dejtonit dhe të Kushtetutës së Bosnjë e Hercegovinës.

Disponimi i pronës shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë u ndalua në vitin 2005, derisa të sillej një ligj në nivel shtetëror, sipas vendimit të përfaqësuesit të lartë të atëhershëm në Bosnjë e Hercegovinë, Paddy Ashdown.

Kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës në disa aktgjykime, duke shfuqizuar ligjet me të cilat Republika Sërpska u përpoq të përvetësonte pronat e paluajtshme.

Vuçiçi sulmon Ukrainën: Abstenimi i tyre në votimin për KiE, i njëjtë me njohjen e Kosovës

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi të martën se do rishikojë qëndrimin e vendit të tij ndaj Ukrainës pas votimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nëse ka dikush që e injoron integritetin territorial të Republikës së Serbisë, pse duhet ta respektojmë integritetin e tyre territorial? Pse duhet të nxitojmë të mbrojmë integritetin territorial të dikujt tjetër, ndërsa ne heshtim, pasi ata njerëz janë qartë kundër integritetit territorial të Serbisë?” deklaroi ai.

Abstenimi nga votimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dje ishte i barabartë me njohjen e Kosovës”, tha Vuçiç. Ai vuri në dukje se Ukraina kishte kërkuar një pushim përpara votimit për konsultime me zyrtarët amerikanë.bw

Presidenti serb sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

Aleksandar Vuçiç foli një ditë pas zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë. Si rezultat, në postet e kryetareve të katër komunave në zonë, u zgjodhën kandidatët shqiptarë.

Presidenti Vuçiç vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se ai përfaqësonte “një kryengritje politike paqësore” kundër “pushtuesve” të tyre. Serbët pretendojnë për keqtrajtime nga autoritetet e Prishtinës dhe kërkojnë autonomi për rajonet ku përbëjnë shumicën.

“Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiç, udhëheqësi populist i cili njihet për shpërthimet e tij të shpeshta antiperëndimore. Ai me sa duket është i zemëruar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin e Prishtinës që të mbajë zgjedhje në veri kur kur pritej bojkotimi nga serbët i kërkuar nga Beogradi.

Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si i zakonshëm”.

Kosova është një ish provincë me shumicë shqiptare etnike që ishte nën administrimin serb. Lufta e viteve 1998-1999 shpërtheu kur shqiptarët etnikë separatistë ngritën krye kundër sundimit të Serbisë dhe Beogradi u përgjigj me një shtypje. Rreth 13,000 njerëz u vranë, kryesisht shqiptarë etnikë. Në vitin 1999, një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Tensionet kanë vluar që atëherë. Pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende perëndimore, por kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja kanë bërë pak përparim në vitet e fundit, megjithëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar u pajtuan të zbatojnë një plan evropian për të normalizuar marrëdhëniet pas dekadash me tensione.

Presidenti serb Vuçiç tha se ai “ndoshta” do të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të planifikuar për t’u mbajtur në Bruksel më 2 maj, pavarësisht se “nuk priste asgjë” nga ai takim.

“Kam frikë se kjo është hyrje në një krize shumë më të thellë”, tha ai.

Vuçiq: Ndryshime tektonike në veri të Kosovës

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “kanë ndodhur ndryshime tektonike”.

“Dje populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiq për gazetarët më 24 prill.

Vuçiq tha gjithashtu se të dielën u zhvillua një “kryengritje politike, paqësore e popullit serb”.

“Kam frikë se ky është preludi i një krize shumë më të madhe dhe më të thellë në muajt dhe vitet në vijim”, theksoi lideri serb.

“Ne nuk kemi nevojë për ndonjë konflikt me NATO-n, nuk jemi të aftë për këtë, por nuk jemi në një situatë që të lejojmë poshtërimin e mëtejmë të popullit tonë. Situata vetëm sa do të ndërlikohet”, shtoi Vuçiq.

Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.

“Nën një, [zgjedhjet e 23 prillit] janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e partive politike serbe në zgjedhjet e 23 prillit. Ndërkaq, Bashkimi Evropian tha një ditë pas zgjedhjeve se zgjedhjet në veri, me pjesëmarrje të ulët të qytetarëve, “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike” për komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Sipas Vuçiqit, zgjedhjet e 23 prillit ishin “referendum” për serbët që jetojnë në veri, për “të treguar se kë nuk duan në veri të Kosovës”.

Në zgjedhjet për kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk morën pjesë partitë serbe, por vetëm një kandidate e pavarur.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – përveç se nuk mori pjesë në zgjedhje, bëri thirrje edhe për bojkotimin e tyre.

Dalja në zgjedhje ishte pak më shumë se 3 për qind, dhe dy komuna u fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqjen e dy të tjerave i morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat jolegale serbe me ato të Kosovës.

Lideri serb akuzon QUINT-in për favorizimin e Kosovës

Vuçiq po ashtu foli për dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se “nuk ka fare dialog substancial”, duke akuzuar shtetet e QUINT-it se favorizojnë Kosovën.

“Ne nuk bisedojmë. Marrim letra të imponuara që gjithmonë duhet të jenë në favor të Prishtinës, sepse QUINT është i tillë, përkrah pavarësinë e Kosovës pak a shumë, por gjithmonë është në favor të tyre”, deklaroi Vuçiq.

Vuçiq, së bashku me Kurtin pritet të takohen më 2 maj, në rundin e ri të dialogut, që synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve. Në agjendë të takimit pritet të jetë edhe draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Themelimi i këtij Asociacioni është paraqitur si kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Megjithatë, Vuçiq tha se nuk ka marrë ende një vendim nëse do të marrë pjesë në rundin e ri të dialogut, “por me siguri do të shkoj në Bruksel më 2 maj”.

Hill: Dialogut Kosovë-Serbi i nevojitet një vrull i ri

RFE/RL

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Christopher Hill, tha më 24 prill se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të marrë një vrull të ri.

“Jam i kënaqur që ata po planifikojnë të takohen më 2 maj. Është e qartë se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Shpresoj që do të pasojë përparimi i plotë dhe i qëndrueshëm në dialog”, tha Hill në një deklaratë për mediat pas një takimi të Odës Ekonomike amerikane në Serbi.

Ai shtoi se pret që çështja e Asociacionit të jetë në agjendën e takimit të ardhshëm të përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

“Ka disa arsye për këtë. Së pari, populli serb duhet të kuptojë se duhet të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, që i kanë arritur njerëz seriozë në bashkësinë ndërkombëtare. Arsyeja e dytë është se komuniteti serb në Kosovë duhet të kuptojë më mirë se cila është e ardhmja e tyre dhe këtë sigurisht do ta sigurojë Asociacioni”, theksoi Hill.

Në pyetjen e gazetarëve nëse SHBA-ja është e kënaqur me hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për themelimin e Asociacionit, Hill tha se më shumë për këtë do të dihet kur Asociacioni i komunave të jetë në agjendën e dialogut.

“E përsëris, kjo është një temë që vazhdon prej 10 vjetësh dhe duhet të trajtohet dhe zbatohet”, tha Hill.

Marrëveshja për themelimin e Asociacionit është arritur më 2013, në kuadër të dialogut të Brukselit. Dy vjet më vonë, Kosova dhe Serbia u pajtuan për marrëveshjen lidhur me parimet mbi të cilat do të formohej ky Asociacion.

Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se disa parime nuk janë në përputhje me ligjet, por se ato mund të harmonizohen. Autoritetet në Kosovë deri më tani kanë refuzuar të formojnë Asociacionin, duke argumentuar se a është i dëmshëm dhe mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Më 23 prill, i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se takimi i 2 majit midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, “do të jetë një takim i rëndësishëm” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, duke paralajmëruar se në agjendë është edhe çështja e Asociacionit.

“Agjenda do të përfshijë mbështetjen formale për Deklaratën për personat e pagjetur, prezantimin e draft-statutit të parë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nga Ekipi menaxhues, si dhe çështjet aktuale”, shkroi Lajçak në Facebook.

Në shkurt në Bruksel, palët arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Në këtë marrëveshje, veç tjerash Kosova është pajtuar se do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërkaq Serbia është pajtuar që të mos e pengojë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Një prej pikave të marrëveshjes po ashtu parasheh zotimin e Kosovës “për të siguruar një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Avokati serb: Politikanët në Serbi vazhdojnë ta gënjejnë popullin për Kosovën – kjo gjë është e pakthyeshme

Avokati Çedomir Stojkoviq shprehet se politikanët në Serbi vazhdojnë ta gënjejnë popullin për sa i përket çështjes së Kosovës.

Stojkoviq në një emision, ka theksuar se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe se askush deri më tani në Serbi nuk ka marr guximin ta thotë këtë të vërtetë.

“Mund të jeni tradhtar nëse ju gënjeni se çfarë ka ndodhur dikur me Kosovën dhe çfarë po ndodhë tani. Por, ju e pranoni se Rezoluta 1244 nuk e ofron pavarësinë e Kosovës, derisa kjo rezolutë në nenin 11 tregon që statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë sipas principit të Marrëveshjes së Rambujesë, a derisa principi në nenin 7 tregon se statusi i Kosovës do të zgjidhet sipas vullnetit të popullit, pas tri viteve. Nuk thotë referendum, por vullneti i popullit”, ka thënë Stojkoviq.

Sipas avokatit nga Beogradi, edhe pas 24 viteve, populli serb vazhdon të mashtrohet nga politikanët e saj.

“Dhe nëse e gjitha kjo shkruhet në Rezolutën 1244 dhe nëse ju pas 24 viteve e gënjeni popullin këtu në Serbi, atëherë ju e tradhtoni popullin tuaj, pasi populli iu beson. Kur të vini në këtë televizion, atëherë duhet ta thoni të vërtetën a jo të gënjeni”, thekson ai.

“Besimi te ju është se do ta thoni të vërtetën. Kur ju e shitni besimin tuaj, atëherë jeni tradhtar. Gënjeshtra është e folura e tradhtisë”, ka shtuar avokati.

Në fund, Stojkoviq pohon se duhet të ketë guxim në shpërbërjen e gënjeshtrës të ndërtuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

“Me Rezolutën 1244 është trasuar rruga drejt pavarësisë së Kosovë, të cilën më nuk mund të ndikojmë. Kjo është disfata e luftës së Millosheviqit. Edhe pas 24 viteve besojmë në ‘lëndimin’ e bërë nga Millosheviqi, sepse askush deri tani nuk e ka marrë guximin të vijë në ekranet televizive dhe ta shpërbëjë këtë gënjeshtër, ashtu siç po e them unë tani”, përfundon ai. syri.net

Dodik paralajmëron shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë

RFE/RL

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, foli më 23 prill në ngjarjen për të shënuar Ditën e Përkujtimit të 700.000 viktimave të krimeve të ustashëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit, ngjarje që u mbajt në Donja Gradina.

Ai foli për këto krime, i krahasoi ato me krimet e luftës së fundit në territorin e Jugosllavisë së atëhershme dhe foli për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë.

“Ne jemi këtu nga Republika Sërpska sepse i takojmë një kombi dhe një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë. Shekulli i kaluar ishte shekulli i vuajtjes serbe dhe ky shekull do të jetë shekull i bashkimit të serbëve”, tha Dodik, raporton Beta.

“Shteti është fjalë kyçe në lirinë tonë dhe prandaj ne duam që qartazi ta themi se nuk ka iluzione apo kërcënim për këdo kur Republika Sërpska shpreh vullnetin e saj popullor për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë, shtet që na shtyp ne dhe kërcënon liritë tona”, tha Dodik para të pranishmëve.

Ai vlerësoi se serbët “nuk mund të mbijetojnë në këto zona, nëse Republika Sërpska nuk bëhet e pavarur në vitet në vijim”.

“Ne do ta bëjmë Republikën Sërpska një shtet në paqe, pa konflikte dhe luftëra. Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Dodik, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Dodik po ashtu tha se serbët ishin viktimat më të mëdha të shekullit të kaluar, fillimisht të Luftës së Parë Botëtore, por edhe të luftërave që shpërthyen gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai bëri një sërë akuzash ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bosnje, të cilët ai i quajti “fundërrina”, duke theksuar se ata dëshirojnë të marrin pronat nga serbët në Republikën Sërpska.

Dodik tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe diplomatët nga shtetet perëndimore “barazojnë krimin në Srebrenicë me vuajtjet në Jasenovac, sepse nuk janë të njëjta”.

“Ju që jeni nga Amerika dhe Evropa kurrë nuk keni thënë se këtu është kryer gjenocid kundër serbëve, por ju jeni të gatshëm të përdorni gjithçka që keni, nga bombat NATO-s, për të justifikuar veprimet që keni kryer në vitet ’90, duke punuar në shpërbërjen e Jugosllavisë”, tha Dodik.

Lideri i serbëve të Bosnjës përsëriti se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid, por tha se atje ka ndodhur krim për të cilin janë përgjegjës individë.

Dodik u bëri thirrje përfaqësuesve të shteteve perëndimore që të pranojnë qëndrimin se serbët nga Republika Sërpska “nuk mund të jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë”, sepse, siç tha ai, “koncepti i shtetësisë në Bosnje është një projekt anti-serb, që synon të eliminojë popullsinë serbe nga këto zona”.

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar mund të dërgojë sa të dojë njësi ushtarake në Bosnje, por kjo, sipas tij, nuk do t’i ndalojë serbët që të luftojnë për shtetin e ashtuquajtur Republika Sërpska.

Biserko: Perëndimi është i vetëdijshëm se Asociacioni për të cilën insiston Beogradi është i papranueshëm

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se retorika e presidentit të Serbisë duket se po bëhet gjithnjë e më radikale me afrimin e afatit për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Brukselit.

Ajo ka komentuar paraqitjet publike të Aleksandar Vuçiçit, ku dominuan dhe ranë në sy më shumë se më parë ofendimet e drejtuara ndaj Bashkimit Evropian, QUINT-it dhe bashkësisë ndërkombëtar në përgjithësi.

Vuçiç mori si shkas që t’i thërriste të gjithë bashkë gënjeshtarë për faktin se nuk është formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe, si dhe pritja që pas zgjedhjeve në veri të Kosovës, në të cilat serbët nuk marrin pjesë, qeveria e Kosovës, në kuptimin e pushtetit, do t’i “marrë” ato komuna dhe në këtë mënyrë gjen argumente për panevojshmërinë e formimit të Asociacionit.

“Është e qartë se Vuçiç është nën presion gjithnjë e më të madh nga BE-ja dhe SHBA-ja, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Të gjithë ata që vijnë në Beograd e theksojnë si prioritet”, shpjegon për “Danas” Biserko, sjelljen e presidentit të Serbisë.

Fakti që Vuçiç pengoi pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet në veri të Kosovës, sipas Biserkos, tregon se ata ende janë një levë e rëndësishme për provokimin dhe destabilizimin e Kosovës.

“Në të njëjtën kohë, gjithmonë theksohet se Asociacioni është një prioritet që kërkon pjesëmarrjen e serbëve, jo vetëm në zgjedhje, por edhe në institucione”, vlerëson ajo.

Biserko thotë se duhet pasur parasysh se Rusia është kryesuese e Këshillit të Sigurimit dhe se çështja e Kosovës do të shqyrtohet më 27 prill, si dhe se Rusia dëshiron me çdo kusht të marrë pjesë në zgjidhjen e nyjës së Kosovës edhe pse ka humbur kredibilitetin ndërkombëtar.

“Siç qëndrojnë gjërat, Vuçiç ende nuk ka vendosur se cilën anë do ta mbajë. Po kalkulohet shumë edhe me atë se si Rusia do ta përfundojë luftën në Ukrainë dhe nëse do të marrë pjesën që pushtoi. Kjo u jep shpresë strategëve serbë se Serbia do të jetë në gjendje të realizojë projektin e saj ‘Bota Serbe’. Kjo, natyrisht, përfshinë edhe idenë e ndarjes së Kosovës”, thotë Biserko.

Megjithatë, shton ajo, si SHBA ashtu edhe BE janë padyshim kundër çdo ndryshimi kufijsh.

“Ambasadori amerikan në Bosnje e Hercegovinë, Michael Murphy, në një intervistë për N1 të Sarajevës dje, ka përsëritur shprehimisht disa herë se SHBA-ja është për një Bosnje e Hercegovinë të plotë dhe sovrane. Dodik gjithashtu po radikalizon edhe retorikën e tij tashmë ofenduese dhe të egër, e cila është pasojë e shtrëngimit të unazës rreth tij. Mali i Zi në këtë moment po kalon një periudhë shumë të trazuar, sepse elita e Beogradit ka komplotuar për të zhvlerësuar pavarësinë, sovranitetin dhe identitetin malazez. Nuk jam e sigurt se Perëndimi po e merr parasysh sa duhet këtë”, thekson Biserko.

Ajo kujton se Kurti dhe Vuçiç do të takohen më 2 maj në Bruksel.

“Pala kosovare është e obliguar që në takimin e 2 majit në Bruksel, siç thotë Escobar, të dalë me një ‘draft të realizueshëm’ [të Asociacionit]. Dhe Perëndimi është i vetëdijshëm se Asociacioni, për të cilën insiston Beogradi, është një opsion i papranueshëm. Beogradi nuk ka shumë zgjedhje, sepse varet në çdo mënyrë nga Perëndimi. Mbështetja te Rusia dhe Kina do të thoshte rrënim dhe shembje të mëtejshme të këtij vendi. Edhe pse shpirti i tij është në Rusi, nuk jam i sigurt se Vuçiç është aq racional sa të kuptojë se Serbia është Evropë. Do të jetë merita e tij historike nëse zgjedh BE-në, por do të jetë edhe përgjegjësia e tij e madhe nëse e lë Serbinë në errësirë”, thotë Biserko.

Ajo thekson më tej se “në vend se të ballafaqohet me një përcaktimi të tillë dhe në emër të kësaj të dekontaminojë hapësirën publike dhe mediatike nga rusofilia dhe gënjeshtrat dhe mitet e ndryshme, Vuçiç vazhdon të manipulojë opinionin publik dhe të terrorizojë çdo opinion kritik dhe racional”.

“Prandaj retorika e tij merr përmasa kaq të frikshme”, shpjegon ajo.bw

Luçiano Boçi kryebashkiakut të Elbasanit: Të largohen ata që kanë çuar qytetin drejt dështimit

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë Elbasan nëpërmjet një postimi në Facebook, ka kërkuar kryebashkiakut të qytetit të largohet.

Luçiano Boçi ka shkruar se në vend të premtimeve do të duhej një ndjesë dhe largim për dështimin spektakolar të drejtuesve në 16 vite.

“Ky është Elbasani që nuk mund të fshihet pas 16 vitesh! Në vend të fjalëve dhe premtimeve do të duhej një ndjesë e madhe dhe një largim për këtë dështim spektakolar të atyre që kanë drejtuar”, ka shkruar Boçi.

Boçi kandidon në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Elbasanit.bw

Sanksionuar nga SHBA dhe BE sepse mbështetën luftën në Ukrainë, Parlamenti serb hapi dyert për deputetët rusë

Të sanksionuarit e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), janë mirëpritur në Beograd.

Parlamenti serb hapi dyert për tre deputetë rusë, të sanksionuar për mbështetjen e shkeljes së integritetit territorial të Ukrainës.

Ata arritën si një delegacion prej katër anëtarësh, i cili më 19 prill vizitoi Kuvendin e Serbisë. Ata u pritën edhe nga kryetari i Kuvendit, Vladimir Orliç, ndërsa vazhduan takimet në qeverinë serbe edhe më 20 prill.

Delegacioni përfshinte anëtarë të Këshillit të Federatës dhe të Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, Elena Afanasyeva, Andrei Chernyshev dhe Vladimir Krugli. Ndaj të gjithë atyre janë vendosur sanksione nga Perëndimi.

Pjesë e delegacionit ishte edhe Olesja Padolina. Radio Evropa e Lirë (REL) nuk e gjeti emrin e saj në listën e zyrtarëve dhe qytetarëve rusë të sanksionuar.Bashkimi Evropian i tha REL-it se një bashkëpunim normal me Rusinë dhe institucionet e saj nuk mund të vazhdojë.

Serbia mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, por është ndër të paktat vende evropiane që nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje.

Përveç nga kryetari i Kuvendit, deputetët rusë u pritën edhe nga disa anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë.

Parlamenti serb dhe zyra e presidentit nuk iu përgjigjën pyetjes së dërguar nga REL-i se pse ata pritën deputetët rusë të sanksionuar. Takimet me ta nuk ishin të hapura për media.

Çfarë thonë në ambasadën e Ukrainës?
Ambasada e Ukrainës në Serbi në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë tha se deputetët rusë, që ndodhen në Beograd, shpresojnë për mbështetje politike dhe ekonomike në përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të aneksuar territorin sovran të Ukrainës me referendume fiktive.

Ata janë të bindur se në mesin e të “dënuarve për krime të rënda të së drejtës ndërkombëtare” do të jenë edhe përfaqësues të qeverisë së shtetit agresor, thuhet në deklaratën e ambasadës.

“Anëtarë të delegacionit të Këshillit të Federatës së Asamblesë Federale të Rusisë, të cilët, për fat të keq, ende kanë mundësi të vizitojnë Serbinë, aktualisht ndodhen në territorin e saj”, tha Ambasada e Ukrainës.

Pse janë sanksionuar?
Tre anëtarë të Dhomës së Lartë të Asamblesë Federale të Rusisë, së bashku me deputetë të tjerë rusë, janë në listën e sanksioneve të BE-së nga marsi i vitit 2022.

Në përgjigjen e BE-së për Radion Evropa e Lirë, thuhet se regjimi rus, përfshirë organet e tij legjislative, është përgjegjës për fillimin dhe autorizimin e agresionit dhe shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, si dhe për krime lufte.

“E gjithë kjo ndodh nën mbikëqyrjen ose me miratimin e të dy dhomave të Dumës ruse. Përveç kësaj, të dy organet, Duma dhe Këshilli i Federatës, kanë dhënë pëlqimin e tyre për aneksimin e paligjshëm të territoreve të Ukrainës nga Putini”, thuhet në përgjigje.

Në shtator të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi dokumente me të cilat Rusia anekson zyrtarisht katër rajone të Ukrainës – Luhanskun, Donjeckun, Hersonin dhe Zaporizhjan.
Pas kësaj, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione shtesë, duke përfshirë deputetë rusë, në mesin e të cilëve janë anëtarët e delegacionit që vizitoi Beogradin.

Në shpjegimin e Departamentit të Financave të SHBA-së të 30 shtatorit 2022, thuhet se sanksionet po vendosen për shkak të “mundësimit të mbajtjes së referendumeve të rreme të Rusisë dhe përpjekjeve për të aneksuar territorin sovran të Ukrainës”.

Gjithashtu u tha se në shkurt të atij viti, Këshilli i Federatës Ruse kishte miratuar njëzëri kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për dërgimin e trupave në Ukrainë.

Dokumenti thekson, po ashtu, se anëtarët e Këshillit të Federatës miratuan një ligj, sipas të cilit mund të burgoset kushdo që publikon atë që autoritetet ruse e konsiderojnë si informacion të rremë në lidhje me pushtimin e Ukrainës, që Kremlini e quan një “operacion ushtarak special”.
Tre deputetë rusë, të cilët ishin mysafirë të Kuvendit të Serbisë, janë sanksionuar nga Britania e Madhe dhe Ukraina.

Cilat janë mesazhet e takimit të deputetëve serbë dhe rusë?
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, para anëtarëve të delegacionit rus ripërsëriti qëndrimet e politikës zyrtare, njoftoi kabineti i tij.

Elena Afanasyeva, e cila kryeson delegacionin rus, tha se qëndrimi i Rusisë për Kosovën nuk do të ndryshojë.

Rusia, ashtu sikurse Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Beogradi llogarit edhe në mbështetjen e Rusisë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Delegacioni nga Moska është pritur edhe nga disa anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë në Parlamentin e Serbisë.

Deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë, anëtar i koalicionit qeverisës, Igor Braunoviç, i cili është në krye të këtij grupi miqësie, thotë se ai ka 98 anëtarë dhe se kjo flet për “rëndësinë e marrëdhënieve ndërparlamentare” me kolegët nga Rusia.

Braunoviç, siç njoftoi Parlamenti i Serbisë, i ka falënderuar deputetët rusë për mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.

Ai shtoi se marrëveshjet për energjinë, si dhe bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor, janë shumë të rëndësishme për Serbinë.

Serbia është pothuajse tërësisht e varur nga gazi rus, por kohët e fundit ka ndërmarrë hapa për të diversifikuar burimet e saj të furnizimit.

Elena Afanasyeva vlerësoi se bashkëpunimi ndërmjet dy parlamenteve mund të nxisë bashkëpunim më të ngushtë ekonomik, kulturor dhe arsimor.

Ndër të paktët anëtarë të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Rusinë, të cilët u takuan me delegacionin rus, ishin deputetët e lëvizjes së djathtë, Dveri, Ivan Kostiç dhe Borko Pushkiç.

Në mars, ata vizituan Dumën ruse dhe më pas shprehën mendimin se plani evropian ishte “shkatërrues për Serbinë”.

Lëvizja e djathtë, Dveri, e kundërshton planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, të cilin në shkurt e pranuan presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përfaqësuesit e Dverit ishin ndër organizatorët e protestave të krahut të djathtë në Beograd gjatë marsit kundër planit evropian.

Kush janë deputetët rusë të sanksionuar?
Elena Afanasyeva është anëtare e Komitetit të Këshillit të Federatës për Çështje Ndërkombëtare dhe kryeson Grupin për bashkëpunim të Këshillit të Federatës me Parlamentin e Serbisë.

Afanasyeva, sipas The Moscow Times, ishte ndër autorët e ligjit që në dhjetor të vitit 2012 vendosi ndalesë për qytetarët amerikanë që të birësonin fëmijë jetimë nga Rusia.

Ajo është anëtare e Partisë ultra-nacionaliste Liberale Demokratike të Rusisë. Themelues dhe kryetar afatgjatë i kësaj partie deri në vdekjen e tij ishte Vladimir Zhirinovski.

Në faqen e saj zyrtare shihet se pas pushtimit, ajo ka vizituar edhe Donbasin, territorin ukrainas të aneksuar nga Rusia.

“Sot jemi në Donbas. Kemi sjellë qindra kilogramë ndihma humanitare”, ishte njoftimi i publikuar në faqen e saj në mars të vitit 2022.

Andrej Chernyshev është anëtar i Bordit të Këshillit të Federatës për Politikë Sociale.

Ai ka qenë anëtar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, e cila ka mbështetjen e Kremlinit, që nga viti 2008.

Ai është edhe anëtar i Bordit të drejtorëve të klubit të ragbit CSKA.

Vladimr Krugli është anëtar i Komitetit të Këshillit të Federatës për organizimin e veprimtarive parlamentare. Ai është anëtar i partisë Rusia e Bashkuar.

Olesja Padolina u prezantua si këshilltare kryesore e Drejtorisë për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Këshillit të Federatës, gjatë takimeve në Beograd më 19 prill./REL

Erdogani pranë largimit nga presidenca, sondazhet favorizojnë kreun e opozitës bindshëm

Lideri i opozitës në Turqi, Kemal Kilicdaroglu, mund të bëhet presidenti i radhës i vendit pas zgjedhjeve të 14 majit në Turqi. Të paktën kështu pretendon sondazhi i kryer nga agjencia sociologjike Aksoy, sipas mediave turke.

Dy kandidatët kryesorë presidencialë në Turqi janë Kilicdaroglu dhe presidenti aktual Erdogan, ndërsa në garë janë edhe Muharrem Ince dhe Sinan Ogan.

Rezultatet e sondazhit tregojnë se nëse ka raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Kilicdaroglu do të fitojë me një diferencë prej 14.8%, pasi 57.4% e votuesve do të votonin për të dhe 42.6% për presidentin aktual.

Sipas sondazhit, rezultatet e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (31.1 për qind) në pushtet dhe Partisë Popullore Republikane në opozitë (30.6 për qind) pritet të jenë shumë të barabarta në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen krahas zgjedhjeve presidenciale.bw

Hill: Edhe unë po pyes pse nuk është formuar ende Asociacioni

RFE/RL

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë të martën në Beograd, se është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata, pak para shënimit të përvjetorit të 10-të të Marrëveshjes së Bruselit, në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“E kuptoj pse mu drejtuat me atë pyetje, sepse edhe unë e bëj të njëjtën. Këtë javë bëhen 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe është koha që të formohet Asociacioni. Ajo se çfarë mund t’ju garantoj është që nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë”, u ka thënë Hill gazetarëve.

Sipas tij, serbët duhet të kenë besim në marrëveshje të tilla, sepse nëse nënshkruhen, ato me patjetër duhet të zbatohen.

“Një tjetër arsye, ndoshta edhe më e rëndësishmja, është që këto komunitete në Kosovë duhet ta dinë se çfarë e ardhme i pret, sepse ato nuk janë formuar dje, ato kanë qenë në Kosovë për vite. Dua vërtet t’ju siguroj që do ta trajtojmë këtë obligim me seriozitetin më të madh”, ka thënë ai.

Kur është pyetur për të komentuar deklaratën e zyrtarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin se “Serbia është një prej bazave për dezinformatë ruse në rajon”, Hill ka thënë se Rubin duhet të pyetet se çfarë ka dashur të thotë, mirëpo Shtetet e Bashkuara janë duke bërë gjithçka për të përmirësuar bashkëpunimin me Serbinë në shumë fusha.

“Ne jemi të interesuar për të punuar me Serbinë në të gjitha çështjet, ku Serbia është e interesuar të bashkëpunojë me ne”, ka thënë ai.

Për Asociacionin

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për formimin e Asociacionit më 2013 dhe më pas për parimet e tij më 2015.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur që disa parime të marrëveshjes nuk janë në përputhje me kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Megjithatë, Qeveria aktuale në Kosovë ka refuzuar formimin e asociacioneve njëentnike, duke thënë se mund të dëmtojnë funksionalitetin e Kosovës.

Pas presionit të komunitetit ndërkombëtar, Kosova është zotuar për të krijuar një “nivel të vetëmenaxhmit” për serbët.

Rreth 64 milionë shtetas me të drejtë vote në zgjedhjet e Turqisë

Rreth 60.7 milionë persona në Turqi do të mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, që mbahen në maj të këtij viti.

Sipas autoriteteve, edhe 3.4 milionë shtetas turq që jetojnë jashtë shtetit, do të mund të votojnë në këto zgjedhje.

Zgjedhjet do të mbahen më 14 maj, derisa turqit që jetojnë jashtë shtetit do të mund të votojnë deri më 27 prill.

Të rinjtë besohet se do të luajnë rol të rëndësishëm në këto zgjedhje.

Rreth 5 milionë do të rinj do të mund të votojnë për herë të parë.

Pak para zgjedhjeve, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e ka prezantuar planin për rritje të shpenzimeve publike, i cili shihet si përpjekje për të rritur bazën e votuesve, pak para zgjedhjeve.

Në planin e Erdoganit përfshihen ulja e taksave, rritja e pagave, subvencione për energjinë dhe më shumë punë qeveritare.

Erdogan është zotuar edhe për ulje të normës së inflacionit dhe rritje ekonomike.

Këto premtime janë bërë në kohën e rritjes rekorde të çmimeve të jetesës dhe vështirësive ekonomike, të cilat Turqia nuk i ka përjetuar në dy dekada.

Sondazhet sugjerojnë garë të ngushtë në mes të Erdoganit dhe liderit opozitar, Kemal Kılıçdaroglu.

Disa analistë besojnë se Kılıçdaroglu, 74-vjeçar, kryetar i partisë sekulare, Partia Popullore Republikane, ka më shumë mundësi për fitore sesa Erdogan, 69-vjeçar.

Kılıçdaroglu mund të gëzojë mbështetjen e bllokut opozitar – një kombinim i rrallë mes islamistëve, kurdëve dhe nacionalistëve.

Fushata këtë herë ka nisur nën hijen e tërmetit shkatërrues që ka goditur juglindjen e shtetit më 6 shkurt.

Erdogan është kritikuar për menaxhim të dobët të krizës, pas tërmetit. rel

Numri i viktimave të tërmetit në Turqi rritet në 50 500 njerëz

Ministri i brendshëm turk Suleyman Soylu tha sot se numri viktimave të tërmetit shkatërrimtar të shkurtit ka arritur në 50 500.

Tërmeti me magnitudë 7.7 goditi juglindjen e Turqisë më 6 shkurt 2023, në një thellësi prej rreth shtatë kilometra në rajonin Pazarcik të krahinës Kahramanmaras, duke mbjellë shkatërrim e tragjedi në në qytete si Hatay, Gaziantep, Kilis, Osmaniye, Malatya, Adiyaman, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, e Kahramanmaras.

Si rezultat i tërmetit në Turqi, dridhje të forta u ndjenë në Siri, Liban, Egjipt e Qipro.

Ndërsa disa ditë më vonë në 21 shkurt, dy tërmete me magnitudë 6.4 e 5.4 u ndjenë në provincën turke Hatay, ku ndërtesat ishin goditur tashmë nga termeti i 6 shkurtit, duke shkaktuar shkatërrim të rëndë dhe lëndime personale. syri.net

Vuçiq: Krijimi i Asociacionit, parakusht për kthimin e serbëve në institucione

RFE/RL

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se parakusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke paraqitur pesë konkluzat e takimit, Vuçiq tha se Asociacioni duhet të formohet “ekskluzivisht në përputhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshjen e fundit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka thënë se nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, por mund të harmonizohet me akte ligjore.

Vuçiq tha se Asociacioni është parakusht edhe për hapat e mëtejshëm në dialog si dhe parakusht për kthimin e serbëve në institucione.

Sipas konkluzave të lexuara në fund të takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, do të kërkohet reagimi urgjent i Bashkimit Evropian dhe institucioneve tjera në botë që institucionet në Prishtinë “ta ndërpresin menjëherë shkeljen e marrëveshjes për targat dhe të mundësojnë lëvizjen e papenguar të serbëve, automjetet e të cilëve shfrytëzojnë targa legjitime të Republikës së Serbisë”.

“Nuk kërkojmë asgjë më shumë se Prishtina, pa vonesë, të veprojë në përputhje me marrëveshjet në dialog, si dhe me të gjitha dokumentet tjera relevante të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuptim, ekipi negociator serb autorizohet që në përputhje me të drejtat që i janë garantuar palës serbe në marrëveshjet e deritashme për targat, të bëjë përpjekje shtesë për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për këtë çështje”, theksoi Vuçiq.

Më 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensione për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë që të gjitha veturat me targa ilegale serbe, të riregjistroheshin në targa Republika e Kosovës – RKS. Tensionet u ulën pasi palët arritën një marrëveshje në Bruksel, përmes së cilës Prishtina hoqi dorë nga masat ndëshkuese që derivonin nga vendimi për targat, ndërkaq Beogradi hoqi dorë nga lëshimi i targave të reja për makinat që qarkullojnë në veri të Kosovës.

Një prej konkluzioneve të arritura në Rashkë, kërkon edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, i banuar me shumicë serbe. Në konkluza thuhet po ashtu se Serbia nuk ka marrë pjesë në vendimin për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Kosovë, por se nuk dëshiron të dalë kundër këtij vendimi.

Shtohet se do të kërkohet që zgjedhjet të zhvillohen pas formimit të Asociacionit.

Pika e fundit e konkluzave është se Serbia do të marrë të gjitha “masat juridike, politike dhe ekonomike” për të siguruar mbrojtjen dhe të drejtat e serbëve në Kosovë.

Këto konkluza, sipas Vuçiqit, do të miratohen nga Qeveria serbe dhe institucionet do të jenë të obliguara që t’i respektojnë ato.

Stimuj ekonomikë për serbët në Kosovë

Gjatë takimit në Rashkë, që gjendet në jug të Serbisë, Vuçiq njoftoi për masa ndihmuese për komunitetin serb në Kosovë, që tha se do të financohen nga buxheti serb.

Vlera e përgjithshme e stimujve ekonomikë u tha se është 28 milionë euro dhe do të financohet nga buxheti i Serbisë.

“Në total janë 28 milionë euro, përveç gjithçka tjetër që kemi vendosur deri më tani dhe këto burime financiare janë në dispozicionin e juaj menjëherë. Këto janë gjëra me rëndësi jetike dhe do ta mbrojnë popullin tonë në Kosovë”, tha Vuçiq.

Në këtë takim, që ishte i hapur për publikun, morën pjesë edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, dhe ministra të tjerë serbë.

Në takimin me presidentin e Serbisë mori pjesë edhe Millan Radoiçiq, nënkryetari e Listës Serbe, i cili është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe për shkak të dyshimeve për korrupsion dhe krim të organizuar. Ai po ashtu kërkohet nga Kosova për dyshimet se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor, të njohur si “Brezovica”.

Më herët, presidenti serb kishte deklaruar se rezultati i takimit do të jetë një “platformë e përbashkët” sa i përket zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 23 prill në veri të Kosovës, por edhe “të ngjarjeve të ardhshme”.

Çfarë tha Vuçiq në fillim të takimit?

Në fillim të takimit në Rashkë, Vuçiq tha se serbët në Kosovë janë të “shqetësuar dhe të frikësuar”, gjë për të cilën akuzoi Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“E dimë që ata nuk janë frikacakë. Por ne po përpiqemi të tregohemi konstruktivë që ta ruajmë paqen”, tha Vuçiq, duke shprehur pikëpamjen e tij për gjendjen në veri të Kosovës.

“Kurti është angazhuar çdo ditë që të ndodhin gjëra të shëmtuara, incidente. Por nuk është incident kur shtini në njeriun që ta vrisni”, tha Vuçiq, duke iu referuar plagosjes së një pjesëtari të komunitetit serb në veri të Kosovës nga Policia e Kosovës, më 10 prill.

Fillimisht, Policia e Kosovës kishte mohuar përfshirjen në këtë ngjarje, por më pas njoftoi se ka suspenduar dhe arrestuar katër zyrtarë policorë, njëri prej të cilëve besohet se ka shtënë drejt një qytetari serb.

Thirrje për “unitet” para zgjedhjeve lokale

Duke folur për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, të caktuara për 23 prill, në takim Vuçiq përmendi edhe mospjesëmarrjen e Listës Serbe në këto zgjedhje.

Ai u bëri thirrje qytetarëve në Kosovë që të jenë të bashkuar dhe të sillen sipas vendimeve që do të merren.

“[Kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”, tha ai.

Vendimi për zgjedhjet në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet në veri. Bashkimi Evropian dhe vendet e grupit QUINT – Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania – kanë shprehur keqardhje pse Lista Serbe, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në Rashkë, që gjendet në kufi me Kosovën, Vuçiq tha se Kosova është e interesuar që Serbia ta njohë atë de facto dhe de jure dhe se “ata nuk janë aspak të interesuar se kur do të krijohet Asociacioni” i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lidhur me targat e lëshuara nga autoritetet serbe për automjetet në Kosovë, Vuçiq tha se pala serbe, më 12 prill, ia ka përcjellë Brukselit “propozimin e fundit që është më shumë se një kompromis”.

“Nëse nuk e pranojnë, ne do të zbatojmë masa që do të jenë përgjigje domethënëse dhe serioze ndaj palës që përdor forcën dhe aparatin e saj të represionit, mbi të gjitha në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.

Kosova konsideron se targat e lëshuara nga autoritetet serbe janë të paligjshme. Shumica e targave të tilla janë në veri të Kosovës. Për këtë kontest, ndër të tjera, Beogradi dhe Prishtina po negociojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës arritën marrëveshje në Ohër, e cila përfshin “njohjen reciproke të shenjave të regjistrimit”, por riregjistrimi i automjeteve me targa serbe në targa të Kosovës, është bllokuar.

Shefi i diplomacisë spanjolle nisi turneun ballkanik në Beograd

Ministri Albares dhe ministrja Mishçeviq nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive, Beograd, 12 prill 2023.

RFE/RL

Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, më 12 prill, filloi në Beograd turneun në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, me mesazhin se Spanja, pas marrjes së presidencës së Bashkimit Evropian (BE) më 1 korrik, do të mbështesë përpjekjet e këtyre vendeve për anëtarësim në BE.

Gjatë turneut të tij në Evropën Juglindore, Albares do të nënshkruajë memorandum mirëkuptimi, me secilin nga katër vendet, për të forcuar bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian – raporton portali spanjoll La Cerca.

Në Beograd, të mërkurën, Albarez me Ministren e Integrimeve Evropiane të Serbisë, Tanja Mishçeviq, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi ndërmjet dy ministrive, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Portali La Cerca shkruan se shefi i diplomacisë spanjolle planifikon që gjatë udhëtimit të informohet për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, por ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Spanja është një nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Më 13 prill, Albarez do të udhëtojë nga Beogradi për në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje e Hercegovinës, ku do të vizitojë bibliotekën e ndërtuar me ndihmën e Spanjës.

Të premten, ai do të takohet në Tiranë me ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, ndërsa më pas në Shkup do të takohet me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Bujar Osmani.

Abazoviq merr pjesë në hapjen e fabrikës ruse në Nikshiq

Kryeministri Dritan Abazoviq dhe afaristi Alexander Maxhetin, gjatë hapjes së fabrikës së vodkës në Nikshiq.

RFE/RL

Në Nikshiq është hapur fabrika e vodkës Beluga, ku më shumë se 200 punëtorë tashmë janë të punësuar në prodhim, administrim dhe logjistikë.

Fabrika u hap nga kryeministri me mandat teknik Dritan Abazoviq dhe Alexander Machetin, investitor dhe themelues i kompanisë nga Rusia, Noblewood Adriatic.

Hapja e fabrikës ruse në Mal të Zi, në kohën kur Rusia është nën sanksione për shkak të agresionit kundër Ukrainës, nuk është e kontestueshme për kryeministrin Abazoviq.

“Fakti se Rusia është nën sanksione nuk do të thotë se të gjitha kompanitë dhe banorët e tyre janë nën sanksione. Ekziston lista e kompanive dhe individëve që janë nën sanksione. Ne kemi edhe turistë rusë në Mal të Zi. Ne nuk mund t’i ndalojmë ata që nuk janë nën sanksione të hyjnë ose të bëjnë biznes në Mal të Zi”, tha Abazoviq.

Prodhuesi rus i alkoolit Beluga Group bleu një pjesë të kompanisë Neksan në Nikshiq, të biznesmenit kontrovers Miodrag Daka Davidoviq, në gusht të vitit të kaluar, kur ishte paralajmëruar një investim prej 50 milionë eurosh.

Pronari i kompanisë Neksan, biznesmeni Miodrag Davidoviq, është një nga donatorët më të mëdhenj të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi. Ai wshtw ish-shef i policisë së Nikshiqit dhe bashkëpunëtor i të burgosurit të Hagës Radovan Karaxhiq, gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

Në gusht tw vitit 2022, Qeveria e Malit të Zi i tha Radios Evropa e Lirë se biznesmeni Alexander Mechetin nuk është në listën e qytetarëve rusë që i nënshtrohen sanksioneve të vendosura ndaj atij vendi.

Sipas gazetës “Pobjeda”, qeveria ukrainase u bëri thirrje shteteve që të vendosin sanksione ndaj Mechetinit për mbështetjen e Rusisë përmes bankës kreditore Royal, pronari i vërtetë i së cilës është ai.

Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë konfirmimin e këtij informacioni nga Ambasada e Ukrainës, të cilës i janë drejtuar pyetjet.

Në fund të shkurtit të vitit të kaluar, pas sulmit ndaj Ukrainës, Mali i Zi iu bashkua të gjitha masave kufizuese, duke përfshirë tetë pako sanksionesh individuale dhe ekonomike të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë.

Gjatë hapjes së fabrikës në Nikshiq, Mechetin njoftoi se janë punësuar më shumë se 200 punëtorë dhe se deri në vitin 2025 do të punësohen 400.

Kryeministri Dritan Abazoviq vlerësoi se me prodhimin e vodkës Beluga nuk do turpëroheshin vendet më të zhvilluara të Perëndimit.

“Ne do të jemi krenarë kur Beluga Montenegro të shfaqet në vitrina në të gjithë botën”, tha ai.

Në shkurt, gjatë një takimi me Abazoviqin në Qeveri, Machetin theksoi se Beluga është një nga 10 markat më të njohura të vodkës në botë, me një xhiro vjetore prej rreth 1,500,000,000 euro.

Në hapjen e fabrikës morën pjesë zëvendëskryeministri Vlladimir Jokoviq dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë dhe lokalë nga Nikshiqi.

Inflacioni i lartë kërcënon rizgjedhjen e Presidentit Erdogan

VOA/Dorian Jones

Ndërsa Turqia po përballet me një shkallë të lartë inflacioni dhe rritje çmimesh, muaji i shenjtë i Ramazanit ofron një periudhë lehtësimi për disa, me ushqime falas për iftar. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, analistët thonë se anketat e opinionit publik tregojnë se inflacioni aktualisht përbën kërcënimin më të madh në përpjekjet për rizgjedhjen e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Në Kadiköy, një lagje e Stambollit ku jeton shtresa e mesme e popullsisë, njerëzit rreshtohen në pritje të iftarit që shënon fundin e një dite agjërimi.

Disa presin më shumë se një orë për një sanduiç dhe supë. Sipas Ahmetit, i cili nuk dëshiron të japë emrin e plotë, kjo është shenjë e kohëve të vështira për popullin turk.

“I shikoni gjithë këta njerëz po presin vetëm për të marrë një racion të vogël ushqimor! Fatkeqësisht, gjithçka është shtrenjtuar. Qiratë, ekonomia. Është bërë keq për njerëzit”.

Bashkia e Stambollit, e kontrolluar nga opozita, po ofron ushqim falas. Në mbarë vendin, qytetet e mëdha nën kontrollin e opozitës po bëjnë të njëjtën gjë. Ndërsa afrohen zgjedhjet për parlament dhe për postin e presidentit opozita po përpiqet të tërheqë vëmendjen për shkallën e lartë të inflacionit, aktualisht më shumë se 55%.

Ata fajësojnë Presidentin Rexhep Tajip Erdogan për politikën e tij të pazakontë të uljes së normave të interesit, në vend të rritjes së tyre për të kontrolluar inflacionin.

Atilla Yesilada është analist për Turqinë në organizatën “GlobalSource Partners”.

“Është shkatërruese. Rreth 80% e të anketuarve ankohen për kushtet ekonomike. 80% mendojnë se gjërat janë përkeqësuar gjatë 12 muajve të fundit. Mesatarisht, 60% mendojnë se do të përkeqësohen edhe më tej gjatë 12 muajve të ardhshëm.”

Në një treg të qytetit, fermerët përpiqen të shesin prodhimet e tyre. Shumë ankohen për mungesën e klientëve dhe thonë se po luftojnë për të mbijetuar.

“Krahasuar me vitin e kaluar, çmimet janë rritur 100% dhe më shumë. Çmimi i ushqimit për kafshët është dyfishuar. Kemi vështirësi në prodhimin dhe shitjen e vezëve. Po ashtu edhe për qumështin. Është jashtëzakonisht i kushtueshëm”, thotë për Zërin e Amerikës fermerja Meral.

Të njëjtin mendim ndan edhe fermeri Yusuf Kahveci, me kompaninë bujqësore “Akasya Agriculture”.

“Çmimi i karburantit u rrit 100 për qind. Qiraja e tokës është rritur jashtëzakonisht shumë. Tarifa e punëtorit ishte 150 lira turke dhe tani ka shkuar në 400.”

Një nga arritjet më të mëdha të Presidentit Erdogan ishin vitet e rritjes ekonomike të papara ndonjëherë dhe krijimi i një klase të mesme të fuqishme fetare.

Analistët thonë se pjestarët e kësaj shtrese druheshin se mund të humbisnin fitimet e tyre, nëse Presidenti Erdogan humbiste pushtetin përballë partive pro-laike. Por rritja e shkallës së inflacionit mund të ndryshojë këtë perceptim politik, thotë për Zërin e Amerikës Osman Sert, drejtor i kompanisë “Panoramatr Research”.

“Kriza ekonomike po dëmton të gjitha segmentet dhe komunitetet. Kjo po ul efektet e polarizimit, sepse si konservatorët, ashtu edhe laikët dhe të gjithë të tjerët po preken pothuajse njësoj nga inflacioni dhe kriza ekonomike”.

Aktualisht, Presidenti Erdogan po përpiqet të ndryshojë axhendën. Vënia në punë e aeroplanmbajtëses së parë të Turqisë të hënën, tha Presidenti Erdogan, nxjerr në pah se ai e ka kthyer vendin në një fuqi rajonale, një përpjekje për të siguruar bazën që e mbështet atë, nacionalistët fetarë.

Rezultatet e zgjedhjeve të muajit që vjen do të tregojnë nëse kjo bazë do të vazhdojë të jetë besnike ndaj tij.

Reuters: Në dokumentet e SHBA pretendohet se Serbia është pajtuar ta armatosë Ukrainën

RFE/RL

Serbia, shteti i vetëm në Evropë që ka refuzuar të sanksionojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës, është pajtuar që të furnizojë me armë Kievin dhe veçse ka dërguar armë atje, thuhet në dokumentet e klasifikuara të Pentagonit, ka raportuar Reuters.

Dokumenti, që është një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës për trajnime ushtarake dhe “ndihma vdekjeprurëse” ose armë, ishte në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara që janë publikuar në internet javëve të fundit, në atë që mund të jetë rrjedhja më serioze e sekreteve amerikane në vite.

I titulluar” Evropa, përgjigja ndaj konfliktit që po vazhdon Rusi-Ukrainë”, dokumenti në formën e një grafiku rendit “qëndrimet” e 38 qeverive evropiane në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Në këtë grafik thuhet se Serbia ka refuzuar që të ofrojë trajnim për forcat ukrainase, por është zotuar për t’i dërguar ndihmë vdekjeprurëse ose veçse i ka dërguar furnizime. Në dokument po ashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për t’i dërguar armë Ukrainës në të ardhmen.

Dokumenti është shënjuar me “sekret” dhe “NOFORN”, duke ndaluar shpërndarjen e tij në shërbimet e huaja të inteligjencës dhe tek ushtritë. Dokumenti mban datën 2 mars dhe është i stampuar me vulën e zyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Reuters nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e këtij dokumenti.

Zyra e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Ambasada e Ukrainës nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.

Pentagoni po ashtu nuk është përgjigjur menjëherë në pyetjet lidhur me referencat që bëhen në këtë dokument për Serbinë, dhe më herët po ashtu ka refuzuar të komentojë çdo dokument që rrjedh në publik.

Qeveria e Vuçiqit ka shprehur neutralitet në luftën në Ukrainë, pavarësisht lidhjeve të thella historike, ekonomike dhe kulturore të shtetit të tij me Rusinë.

“Nëse dokumenti është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për t’i dërguar armë Ukrainës”, tha Janusz Bugajski, ekspert për Evropën Lindore në Fondacionin Jamestown.

Departamenti amerikan i Drejtësisë është duke hetuar dokumentet që kanë dalë në publik, ndërkaq Pentagoni po vlerëson dëmin që i është shkaktuar sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Në grafikun e Pentagonit përgjigjet ndaj kërkesave për ndihmë të bëra nga Ukraina janë ndarë në katër kategori: shtetet që janë zotuar të ofrojnë trajnim dhe ndihmë vdekjeprurëse; shtetet që veçse kanë ofruar trajnim, ndihmë vdekjeprurëse apo të dyja; shtetet që kanë aftësi ushtarake dhe vullnet politike “për të ofruar në të ardhmen ndihmë vdekjeprurëse”.

Austria dhe Malta janë të vetmet shtetet që janë shënjuar me “jo” në të katër këto kategori.

Zbulimi i këtij grafiku vjen vetëm një muaj pasi dokumentet u publikuan në një kanal pro Rusisë në aplikacionin Telegram, dhe supozohet se dokumentet tregojnë për dërgesën e bërë nga një prodhues serb i raketave tokë-tokë të llojit Grad 122 milimetërsh. Kjo dërgesë supozohet se u dërgua në Kiev në nëntor. Dokumenti po ashtu përfshin edhe një manifest të dërgesës dhe një certifikatë të përdoruesit përfundimtar që thuhet se është Qeveria ukrainase.

Moska tha në mars se i kishte kërkuar Beogradit një shpjegim zyrtar lidhur me dërgesat e pretenduara, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS që citoi zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Prodhuesi serb i armëve, Krusik, mohoi se ka ofruar raketa apo armë të tjera për Ukrainën. Vuçiq i cilësoi këto pretendime si “gënjeshtra”.

“Nuk kemi eksportuar asnjë armë apo municion në Rusi apo Ukrainë”, tha ai më 5 mars, teksa po vizitonte Katarin.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë shkurtin e vitit të kaluar, Vuçiq ka tentuar të balancojë raportet e ngushta që ka me Moskën dhe qëllimin e tij që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Por, Serbia është shteti i vetëm mes 44 shteteve të Evropës që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Vuçiçi: Kosova do të qëndrojë në Serbi, të paktën deri në fund të mandatit tim

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar së fundit se Kosova do të qëndrojë në Serbi deri në fund të mandatit të tij.

”Kosova me gjasë do të mbetet në Serbi gjatë mandatit tim dhe pas kësaj do të jetë çështje e dikujt tjetër. Mendoj se do të duhet të vuajmë shumë, veçanërisht njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë ai.

Teksa po ashtu ka thënë se se vendi i tij do të zbatojë disa pjesë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën, por jo të tjera për të cilat specifikon se ua ka thënë edhe politikanëve perëndimorë.

”Ua thashë qartë se cilat nuk do t’i pranojmë. Të gjithëve atyre, Emmanuel Macronit, Olaf Scholzit dhe Anthony Blinkenit, në fytyrë. Dhe çfarë mund të thonë ata? Më shohin të vendosur”, deklaron ai.

Megjithatë ai pretendon se lidershipi shqiptar, po tregohet i dobët.

”Propozimi ka një aspekt pozitiv dhe lidershipi i shqiptarëve të Kosovës nuk po i jep shumë peshë. Është se ne jetojmë në paqe pranë njëri-tjetrit”, tha Vuçiç.bw

Vritet në mënyrë monstruoze mafiozi në Podgoricë, kundërshtarët i djegin kokën

Një vrasje monstruoze ka ndodhur në Malin e Zi, në fshatin Steke, në afërsi të Podgoricës, ku anëtari i grupit mafjoz Skaljar u gjet i vrarë me armë zjarri dhe i djegur në pjesën e kokës dhe kraharorit.

Trupi i viktimës u gjet nga një banor i zonës, i cili ishte duke u kthyer në fshat dhe evidentoi trupin e pajetë dhe të djegur.

Viktima u identifikua nga tatuazhet që kishte në këmbë, në parakrahun e djathtë dhe në qafë. Ai është 23-vjeçari Vidak Vujoviç, një person që njihet për lidhjet me klanin mafioz Skajlar që vepron në Malin e Zi por dhe Ballkan.

Mediat malazeze shkruajnë se autoritetet po bëjnë ekzaminimin e komunikimeve telefonike, kontrollin e kontakteve të 23-vjeçarit, dhe rishikimi e pamjeve nga kamerat e sigurisë për të rënë në gjurmët e atorëve.

Bëhet me dije se janë shoqëruar disa persona në polici në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për vrasjen dhe mund të ndihmojnë hetimin.

Klani Skaljarski ka rënë pre e goditjeve të mëdha vitin e fundit, ku në shtator u eliminua në Stamboll dhe kreu i kësaj organizate mafioze Jovan Vukotić. Gjatë vitit 2022 u vranë dhe dy njerëzit më me fuqishëm në këtë klan Minja Shaković në Budva në qershor 2022 dhe Goran Vlaović .

Pë vrasjet të dyshuarit kryesor janë anëtarët e klanit kundërshtar të Kavaçi. syri.net

Abazoviçi thirrje presidentit të ri: Anulo vendimin e Gjukanoviç për zgjedhjet parlamentare

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka kërkuar që presidenti i sapozgjedhur Jakov Milatoviç të anulojë vendimin e Milo Gjukanoviç për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në një komunikim për mediat Abazoviç gjithashtu ka thënë se Milatoviç duhet të zhvillojë një takim me të gjithë aktorët politikë dhe së bashku të caktojnë datën e re të zgjedhjeve.

“Mund të jetë në fund të qershorit, këtë së dimë”, tha Abazoviç, duke shtuar: “Nuk mendoj se është mirë që presidenti aktual Gjukanoviç të shkarkojë deputetë në këtë formë, është e papranueshme.”bw

I dërguari special i SHBA tur 4-ditor në Podgoricë, Shkup dhe Tiranë

I dërguari special i SHBA dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit James P. Rubin do të ndërmarrë një tur 4-ditor në Ballkan.

Sipas DASH, Rubin do të udhëtojë nga 10-14 prilli në Podgoricë, Mal të Zi; Shkup, Maqedoninë e Veriut; dhe Tiranë, Shqipëri.

Në Podgoricë dhe Shkup, i dërguari i posaçëm Rubin do të takohet me zyrtarë qeveritarë për të forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit. Ai do të diskutojë përpjekjet e Rusisë, Republikës Popullore të Kinës dhe aktorëve të tjerë keqdashës që përdorin dezinformata për të minuar demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë globin, dhe se si kombet tona mund t’i kundërvihen së bashku kërcënimet në hapësirën e informacionit.

Ndërsa në Tiranë, i dërguari i posaçëm Rubin do të marrë pjesë në takime me ambasadorët e SHBA-së nga Ballkani Perëndimor.bw

REL: SHBA mirëpret vendimin e Serbisë për stërvitje të përbashkëta ushtarake

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mirëpresin vendimin e Serbisë për të organizuar një stërvitje ushtarake me partnerët e saj globalë të paqes. Kështu ka thënë Ambasada e SHBA-së në Serbi për Radion Evropa e Lirë.

“Ne jemi të lumtur që jemi pjesë e Ujkut të Platinit ”, ka thënë kjo ambasadë.

Autoritetet në Serbi kanë bërë përjashtim nga moratoriumi për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, për të zhvilluar stërvitjen “Ujku i Platinit 23”.

Bëhet fjalë për stërvitje taktike ndërkombëtare, në të cilën marrin pjesë edhe anëtarët e aleancës së NATO-s, përfshirë SHBA-në.

Në përgjigjen e Ambasadës amerikane për Radion Evropa e Lirë, thuhet se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin ushtarak me Serbinë dhe respektojnë shumë ushtrinë serbe dhe udhëheqjen e saj.

“Ne angazhohemi për një partneritet të fuqishëm dypalësh ushtarak dhe mbrojtës me Serbinë, të fokusuar në qëllimet tona të përbashkëta për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe globalisht”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA-së në Serbi.

Gjithashtu, është shtuar se puna e përbashkët ndërton lidhje miqësie dhe besimi që u mundësojnë të dyja palëve të kontribuojnë së bashku për paqen.

Ndërkohë, Kremlini njoftoi se stërvitjet ushtarake që Serbia do t’i zhvillojë me trupat e NATO-s “nuk do të kalojnë pa u vënë re” në Rusi.

“Sa u përket stërvitjeve, sigurisht që do t’i përcjellim me shumë kujdes”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Siç raporton Beta, Peskov shtoi se Beogradi “është nën presion të paparë për ta tërhequr Serbinë në anën e atyre që i përmbahen qëndrimit anti-rus”.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka njoftuar më 5 prill se në mesin e qershorit do të mbahet stërvitja “Ujku i Platinit” në jug të Serbisë, në të cilën do të marrin pjesë ushtritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbisë dhe dhjetë vendeve partnere.

Serbia vendosi një moratorium për mbajtjen e stërvitjeve ushtarake me partnerë të huaj, në shkurt të vitit 2022, disa ditë pasi Rusia filloi agresionin e saj kundër Ukrainës fqinje.

Asokohe, Beogradi zyrtar njoftoi se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë, por edhe se Ushtria e Serbisë, duke pasur parasysh politikën e neutralitetit ushtarak, i pezullonte të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerët e huaj, si nga Lindja ashtu edhe nga Perëndimi, deri në një vendim të ardhshëm.

Më 5 prill, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i tha Radios Evropa e Lirë se moratoriumi mbetet në fuqi, ndërkaq stërvitja “Ujku i Platinit” është një përjashtim nga ai moratorium.

Gjukanoviçi: Mali i Zi po shkon drejt nacionalizmit serbomadh

Presidenti në largim i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dha dorëheqje nga udhëheqja e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Ai me këtë rast deklaroi se Mali i Zi po shkon rrugës së nacionalizmit serbomadh.

“Ne besojmë se e udhëhoqëm Malin e Zi në një kohë kur po shtrihej në segmente të reja të orientimit të vlerave të shoqërisë malazeze…. Ne jemi krenarë për këtë. Ne besojmë se sistemi ynë i vlerave është superior dhe se shoqëria malazeze ka të drejtë të bëjë lëvizje sezonale, siç ndodh pas 30 gushtit. Mali i Zi po nxiton rrugëtimin drejt nacionalizmit serbomadh. Por ne e kuptojmë se në jetën e shoqërisë dhe njeriut, ciklet janë të mundshme, disa më të mira, disa më këqija. Ne duhet të jemi këmbëngulës në arritjen e rëndësisë shtetërore-politike”, tha Gjukanoviç.

Ai thekson se nuk ka alternativë serioze në skenë ndaj asaj që ka treguar DPS, por se respektojnë vendimin e qytetarëve, raporton nova.

“Ne ndërmorëm një hap të ri duke vendosur të tërhiqem nga posti i presidentit pas njëzet e pesë vjetësh të menaxhimit të partisë, për të cilën jam krenar. Nuk është suksesi im, por suksesi i asaj politike që e personifikova”, tha presidenti malazez.

Milo Gjukanoviç humbi zgjedhjet presidenciale fundjavën e kaluar përballë kandidatit të mbështetur nga Serbia, Janko Milatoviç. syri.net

Rusia vazhdon të rrisë numrin e diplomatëve në Serbi

Në muajin mars, siç shihet nga lista diplomatike e mbajtur nga Serbia, janë akredituar dy atashe të rinj në Ambasadën ruse (Në fotografi shihet ndërtesa e Ambasadës ruse në Beograd)

Maja Zhivanoviq

Rusia vazhdoi të rrisë numrin e diplomatëve të saj në Serbi, vendi i rrallë evropian që nuk vendosi sanksione ndaj Kremlinit dhe një nga të paktët në Evropë që nuk kërkoi reduktim të fushëveprimit të misionit rus pas pushtimit të Ukrainës.

Lista diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme tregon se dy diplomatë të tjerë rusë kanë mbërritur në Serbi gjatë muajit mars.

Në fillim të marsit, misioni i Rusisë në Serbi kishte 62 diplomatë, ndërkaq më 31 mars ishin 64 të tillë.

Në fillim të marsit, Radio Evropa e Lirë (REL) njoftoi se Rusia, një vit pas pushtimit në Ukrainë, kishte rritur praninë e saj diplomatike në Serbi, pas valës së dëbimeve të diplomatëve nga BE-ja vitin e kaluar.

Me dy ardhjet e reja në mars, numri i diplomatëve rusë në Serbi, që nga shkurti i vitit të kaluar, ka shënuar dhjetë më shumë.

Hulumtimi, në fillim të marsit, tregoi gjithashtu se të paktën tre diplomatë të dëbuar, tani janë përfaqësues të akredituar rusë në Serbi, duke përfshirë dy prej tyre që kanë lidhje me shërbimet e inteligjencës ruse.

Sipas listës së fundit të publikuar nga Ministria e Jashtme, nga 31 marsi, ata ende janë të pranishëm në misionin rus në Beograd.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me ngritjen e re të numrit të diplomatëve.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as Qeveria e Serbisë dhe as Ambasada ruse në Serbi.
Nikolla Lluniq, ish-diplomat ushtarak i Serbisë, i cili tani kryeson Këshillin joqeveritar për Politikat Strategjike me qendër në Beograd, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se injorimi i rritjes së numrit të diplomatëve rusë, sigurisht që do të shkaktojë mosbesim në vendet në rajon dhe në Evropë.

“Por, edhe do të rrisë rrezikun e sigurisë, gjë që Serbisë nuk i nevojitet në këtë moment”, shtoi Lluniq.

Dy atashe të rinj

Gjatë muajit mars, siç shihet nga lista diplomatike që evidentohet nga Serbia, janë akredituar dy atashetë e rinj në ambasadën ruse, Vladimir Surov dhe Roman Shelkovskiy.

Ambasada ruse dhe autoritetet në Serbi nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it për punët e mëparshme të Surovit dhe Shelkovskiyt.

Nga të dhënat e qasshme publike, mund të shihet se Vladimir Surov ishte pjesë e misionit të përhershëm të Rusisë në Kombet e Bashkuara në vitin 2006 dhe 2009.

Emri i Surovit ishte gjithashtu në listën e misionit rus në Kopenhagë, në vitin 2015.
Emri i Roman Shelkovskiyt ishte i renditur në listën diplomatike të Italisë, në vitin 2021, por në mars të vitit 2022 nuk ishte më aty.

Në prill të vitit 2022, Italia dëboi 30 diplomatë rusë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Nuk dihet saktësisht se kur Shelkovskiy u largua nga Italia apo vendndodhja e tij para se të mbërrinte në Serbi.

Dëbimi i diplomatëve

Pas pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, qindra diplomatë rusë u dëbuan nga vendet evropiane ose u futën në “listë të zezë”.

Si arsye për dëbim, disa vende përmendën spiunazhin e supozuar.

Radio Evropa e Lirë ka vërtetuar më herët se të paktën një diplomat rus i dëbuar, i lidhur me njësinë e Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) dhe i akuzuar për sulme kibernetike që synonin sektorin e energjisë amerikane, është dërguar në Beograd, ndërsa një tjetër është i lidhur me Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme Ruse.

Disa vende i dëbuan diplomatët rusë edhe para pushtimit të Ukrainës.
Në mars të vitit 2018, Mbretëria e Bashkuar dëboi 23 diplomatë rusë, si përgjigje për sulmin me agjent nervor ndaj ish-agjentit rus Sergei Skripal.

Kryeministrja e asaj kohe, Theresa May, tha për diplomatët rusë të dëbuar se ishin spiunë që vepronin nën mbrojtjen diplomatike.

Yulia Skripal dhe babai i saj Sergei, një ish-agjent rus dhe britanik, për disa javë ishin në gjendje kritike në spital, pasi u helmuan me agjentin nervor Novichok, në mars të vitit 2018.

Diplomatët rusë, në disa raste, gjithashtu u dëbuan edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nikolla Lluniq shpjegon se, në përputhje me detyrimet nga Konventa e Vjenës, Serbia nuk është e obliguar të pranojë diplomatët rusë të dëbuar nga Perëndimi.

“Ministria kompetente mundet në çdo kohë dhe pa asnjë detyrim për shpjegim, ta informojë misionin rus se një anëtar i caktuar i misionit diplomatik është i papranueshëm, pra i padëshirueshëm”, thotë Lluniq.

“Mungesa e reagimit mund të interpretohet lehtësisht në Perëndim si mbështetje diplomatike dhe inteligjente nga Beogradi, për aktivitetet hibride ruse në rajon”, thekson Lluniq në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Sanksionet, varësia nga energjia, aferat e spiunazhit

Serbia aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ndërkohë që autoritetet përpiqen të mbajnë marrëdhënie të mira me Rusinë.

Beogradi zyrtar refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht kërkesave nga zyrtarët e shumtë nga Perëndimi.

Infografikë

Si iu përgjigj Ballkani Perëndimor pushtimit rus në Ukrainë?

Kremlini zyrtar mbështet Serbinë në bllokimin e anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Ndërkaq, Serbia është ende e varur nga gazi rus.

Në komentin e tij për REL-in, Nikolla Lluniq vlerëson gjithashtu se nëse Rusia përmirëson aftësitë e saj të inteligjencës në misionin diplomatik në Beograd, kjo do ta distancojë Serbinë edhe nga BE-ja, por edhe nga NATO-ja, në të cilën Serbia nuk e aspiron anëtarësimin tash për tash.

“Nuk duhet të habitemi nëse ata përdorin në mënyrë makiaveliste të gjitha mjetet për të arritur qëllimet e tyre (ruse)”, shtoi Lluniq.

Ai, po ashtu, tha se për shërbimet serbe të sigurisë, prioritet duhet të jetë që misionet diplomatike të të gjitha vendeve në Beograd të jenë të sigurta.

Ambasada ruse në Beograd ka qenë e përfshirë edhe më parë në një aferë spiunazhi.

Në nëntor të vitit 2019, Qeveria e Serbisë njoftoi se kishte zbuluar një rrjet të spiunazhit rus të lidhur me ambasadën, gjë që e shtyri presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të thërriste ambasadorin rus për të biseduar.

Vuçiq, megjithatë, më vonë e minimizoi intensitetin e incidentit.

Duke iu drejtuar mediave, asokohe ai tha se Serbia nuk do ta ndryshojë politikën ndaj Rusisë dhe se e sheh atë si një vend mik.

Vuçiq më pas tha se autoritetet në Serbi do ta “mbrojnë dhe ruajnë” vendin në aspektin e inteligjencës.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Milatoviç: Mali i Zi nuk do ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës, kjo është një çështje shumë e qartë

“Nuk është realiste të pritet që Mali i Zi do ta tërheqë njohjen ndaj Kosovës. Kjo çështje është e qartë”, ka thënë Jakov Milatoviç, presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, në një intevistë për median serbe “Nova.rs”.

“Ne mbështesim gjithçka për të cilën bien dakord Beogradi dhe Prishtina dhe besoj se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do të ishte i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit. Në këtë kuptim, Mali i Zi dëshiron të jetë një fqinj i mirë, i cili diku do të promovojë të marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore”.

Milatoviç tha gjithashtu se Mali i Zi me të vërtetë po shkon drejt Brukselit dhe për këtë arsye vizita e tij e parë do të jetë në Bruksel.

“Dëshiroj gjërat më të mira të mundshme me Serbinë dhe kur kam qenë ministër i zhvillimit ekonomik e kam vënë gjithmonë në fokus. Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor dhe është krejtësisht e natyrshme që vizita ime në Serbi do të vijojë”, tha Milatoviç. syri.net

Kush është Jakov Millatoviç, presidenti i ri i Malit të Zi

Jakov Millatoviç u lind në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, në dhjetor të vitit 1986.

Pasi përfundoi studimet për Ekonomi në Universitetin e Podgoricës, Millatovic kaloi një vit si studiues në Universitetin Shtetëror të Illinoisit në SHBA, dhe më pas vazhdoi studimet në Vjenë dhe Romë. Ai mori diplomën në nivelin master në ekonomi në Oksford.

Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.

Millatoviç la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në Qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiç dhe ishte një prej “12 dishepujve” – ashtu siç i kishte quajtur Krivokapiç – në Qeverinë që u formua në negociatat e përcjella nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe.

Në Qeveri, Millatoviç shumë shpejt iu bashkua edhe ministri i Financave, Millojko Spanjiç.

Spajiç dhe Millatoviç ishin arkitektë të një skeme stimuluese për ekonominë dhe rritjen e pagave. Plani tregoi rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale – nga 222 euro në 450 euro – dhe duke rritur pagën mesatare nga 530 euro në 670 euro.

Kritikët kanë thënë se këto mund ta çojnë Malin e Zi drejt skenarit grek

Në qershor të vitit 2022, Spajiç dhe Millatoviç, i pari serb dhe i dyti malazez, krijuan një parti të re politike, të përshkruar si centriste, pro-BE-së me agjendë kundër korrupsionit, të quajtur Lëvizja Evropa Tani.

Në tetor të vitit 2022, me Millatoviçin që udhëhiqte listën e partisë së tij, Evropa Tani në Podgoricë – qytet ku jeton një e treta e banorëve të Malit të Zi – fitoi 21 për qind të votave, duke premtuar se do të modernizojë fuqinë punëtore dhe do të sjellë prosperitet ekonomik.

Spajiç, ishte fillimisht i nominuar për të sfiduar Gjykanoviçin, por pjesëmarrja e tij në garën presidenciale u pengua për shkak se adresa e tij zyrtare e banimit për një kohë të gjatë ka qenë në Serbi dhe për shkak të dyshimeve se ka shtetësi të dyfishtë.

Pas studimeve akademike, ai punoi në një bankë rajonale dhe më pas në Deutsche Bank, para se t’i bashkohej Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si ekonomist në Londër dhe Podgoricë.

Më pas, në zgjedhjet e vitit 2020 ai fitoi një ulëse në Parlamentin e Malit të Zi, ku fitoi shumica pro-serbe dhe pro-serbe ortodokse dhe grupime të tjera, zgjedhje këto që çuan DPS-në e Gjukanoviqit në opozitë, për herë të parë që nga mbajtja e zgjedhjeve shumëpartiake në vitin 1990.

Pothuajse një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë, dhe rreth dy e treta adhurojnë krahun lokal të Kishës Ortodokse Serbe. Tensionet me Beogradin janë ulur gjerësisht që kur Mali i Zi shpalli pavarësinë nga Serbia më 2006, por çështjet lidhur me identitetin kombëtar të Malit të Zi dhe kulturën e përbashkët janë ende pika të nxehta të debatit.

Millatoviq la punën jashtë vendit dhe u bë ministër i Ekonomisë në Qeverinë “teknike” të kryeministrit Zdravko Krivokapiq dhe ishte një prej “12 dishepujve” – ashtu siç i kishte quajtur Krivokapiq – në Qeverinë që u formua në negociatat e përcjella nga afër nga Kisha Ortodokse Serbe. Negociatat për koalicionin qeverisës u mbajtën në Manastirin Ostrog, për të vënë në pah kredencialet pro-serbe dhe pro-kishës të Qeverisë së formuar.

Në Qeveri, Millatoviq shumë shpejt iu bashkua edhe ministri i Financave, Millojko Spanjiq.

Që të dy shumë shpejt treguan se kishin aftësi të fitonin simpatinë e populistëve.

Spajiq dhe Millatoviq ishin arkitektë të një skeme stimuluese dhe të reformave që pjesërisht rritën pagat, duke hequr kontributet nga skema e kujdesit shëndetësor në mes të pandemisë së koronavirusit. E quajtur si “Evropa Tani”, plani tregoi rezultate të menjëhershme, duke kontribuar në më shumë se dyfishimin e pagës minimale – nga 222 euro në 450 euro – dhe duke rritur pagën mesatare nga 530 euro në 670 euro.

Kritikët kanë thënë se këto veprime ranë ndesh me premtimin e Millatoviqit se Qeveria ishte e “përkushtuar për reforma strukturore” dhe këto vendime dëmtuan aspektin financiar të sistemit të kujdesit shëndetësor dhe e bënë shtetin të cenueshëm ndaj një “skenari grek” të falimentimit. Millatoviq për dështimin e reformave ia ka lënë fajin mungesës së vullnetin politik, që sipas tij ka penguar po ashtu edhe anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Por, nisma Evropa Tani u dha mbështetje të madhe popullore të dy nismëtarëve të saj.

Duke kritikuar ashpër epokën e Gjukanoviqit, Millatoviq u mburr se “kjo është rritja e parë e rëndësishme e standardit të jetesës [në Mal të Zi] në 30 vjetët e fundit”. Ai sugjeroi po ashtu se shteti mund të arrijë të ketë “një pagë mesatare [mujore] prej 1.000 eurosh në një periudhë të shkurtër kohore”.

Qeveria Krivokapiq nuk i mbijetoi mocionit të mosbesimit në shkurt të vitit 2022. Mocioni u ngrit pas mohimit të gjenocidit në Srebrenicë më 1995 nga një ministër malazez. Megjithatë, kjo Qeveri qëndroi në detyrë deri në prill të atij viti.

Në qershor të vitit 2022, Spajiq si kryetar dhe Millatoviq si zëvendës i tij, krijuan një parti të re politike, të përshkruar si centriste, pro-BE-së me agjendë kundër korrupsionit, të quajtur Lëvizja Evropa Tani.

Në tetor të vitit 2022, me Millatoviqin që udhëhiqte listën e partisë së tij, Evropa Tani në Podgoricë – qytet ku jeton një e treta e banorëve të Malit të Zi – fitoi 21 për qind të votave, duke premtuar se do të modernizojë fuqinë punëtore dhe do të sjellë prosperitet ekonomik.

Spajiq, që është serb, njoftoi për planet e tij për të sfiduar Gjukanoviqin në zgjedhjet presidenciale të këtij muaji, por pjesëmarrja e tij në garën presidenciale u pengua për shkak se adresa e tij zyrtare e banimit për një kohë të gjatë ka qenë në Serbi dhe për shkak të dyshimeve se ka shtetësi të dyfishtë.

Por, Millatoviq shpejt zuri vendin e tij dhe garoi në zgjedhje.

“Qoftë unë apo Spajiq, vërtet nuk ka rëndësi në këtë moment”, tha Millatoviq në janar, para se Spajiq të tërhiqej nga gara, duke e përshkruar veten “si person që asnjëherë nuk i ik përgjegjësisë”.

Si kandidat, ai ka përdorur përvojën e tij në ekonomi dhe ka mbështetur rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, që është ngadalësuar për shkak të dështimit të reformave dhe lodhjes nga procesi i zgjerimit nga anëtarët e bllokut.

Ai, po ashtu, në vazhdimësi ka kërkuar të ketë raporte të ngushta me Serbinë.

Në mes të shtatë kandidatëve, në rundin e 19 marsit Gjukanoviq fitoi pothuajse 36 për qind të votave, ndërkaq Millatoviq 29 për qind. Që nga rundi i parë i zgjedhjeve, Gjukanoviq ka tentuar të mobilizojë votuesit në mesin e minoriteteve kombëtare joserbe, sikurse shqiptarët dhe boshnjakët, që e kanë mbështetur atë në të kaluarën.

Mali i Zi voton për zgjedhjen e presidentit

Mëngjesin e së dielës, 2 prill, janë hapur vendvotimet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi. Afro 550 mijë malazezë kanë të drejtë vote deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.

Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidatët për pozitën e presidentit për një mandat pesëvjeçar janë Millo Gjukanoviqi dhe Jakov Millatoviqi.

Gjukanoviq është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.

Ndërsa, Jakov Millatoviq, është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet.

Të drejtën për votuar për njërin prej tyre kanë 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues.

Fitues në raundin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale do të jetë kandidati që do të fitojë numrin më të madh të votave nga zgjedhësit. Mandati i presidentit zgjat pesë vjet.

Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.

Rregullsia e procesit zgjedhor do të monitorohet nga misionet vëzhguese të ODIHR-it, deputetët evropian dhe Këshilli i Evropës, si dhe nga organizatat joqeveritare Qendra për Monitorim dhe Qendra për Tranzicionin Demokratik. syri.net

Politikani serb: Shërbimi sekret rus dhe Kisha Ortodokse e Serbisë duan t’i prishin zgjedhjet në Mal të Zi

Presidenti i Nderit i Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, akuzoi Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) të Rusisë dhe Kishën Ortodokse Serbe (SPC) se kanë një plan për t’i shkatërruar kutitë e votimit në zgjedhjet e sotme në Mal të Zi.

“Informatat po ju rrjedhin nga shërbimi juaj, zotërinj nga FSB dhe SPC. Tashmë dihet plani i shkatërrimit të kutive të votimit në Bijelo Polje, Rozhajë, Petnjicë, Nikshiq e sigurisht edhe në Podgoricë”, ka shkruar ai në Twitter.

Ai më tejshtoi se kësaj radhe kjo nuk do të funksionojë për ta.

Kujtojmë se sot janë kontrolluar disa lokacione dhe po punohet për mbledhjen e provave. Disa persona po merr në pyetje nën dyshimin se kanë kryer vepra penale.

Në njërin nga kontrollet, policia e Podgoricës ka gjetur material zgjedhore të vulosura, ndërsa në tjetrin ka gjetur lista zgjedhore dhe kopje të kartave të identitetit. Për gjithçka është vënë në dijeni prokuroria.

Po ashtu, në polici dhe në prokurorinë e Bijelo Poljes është raportuar se persona të panjohur kanë tentuar t’u marrin kartat e identitetit banorëve të “Shtëpisë së Pleqve”.

Sot do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, në të cilin kandidat janë presidenti aktual, Milo Gjukanoviq (DPS) dhe Jakov Milatoviq (Evropa Tani).bw

Presidentja greke: Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i njëjtë

Qëndrimi i Greqisë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i njëjtë, ka thënë presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou një intervistë për portalin serb “Politika”.

“…Qëndrimi i Greqisë për Kosovën mbetet i pandryshuar. Politika jonë konstruktive ndaj Kosovës është në përputhje me atë pozicion, promovon zhvillimin dhe forcon stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ajo.

Kujtojmë se Greqia është një nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. syri.net

Me simbole ruse, djathtistët serbë protestojnë kundër marrëveshjes me Kosovën

RFE/RL

Më 24 mars, mbështetësit e katër partive parlamentare të opozitës së djathtë bllokuan trafikun për një orë para ndërtesës së Qeverisë së Serbisë në qendër të Beogradit, duke kërkuar refuzimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lëvizja Dveri, Zavetnici (Të betuarit), Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë kërkuan dorëheqjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për atë që ata e quajtën “tradhti” dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pjesëmarrësit e tubimit mbanin pankartat “Jo kapitullimit” dhe “Vuçiq dorëheqje”, ndërkaq disa kishin veshur edhe bluza me shkronjën Z, simbol i agresionit rus kundër Ukrainës.

Radomir Poçuça në një protestë kundër Marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para Qeverisë së Serbisë në Beograd, 24 mars 2023.

Radomir Poçuça në një protestë kundër Marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para Qeverisë së Serbisë në Beograd, 24 mars 2023.

Në protestë ishte edhe Radomir Poçuça, i cili si mercenar nga Serbia, në vitin 2014, luftoi me separatistët pro-rusë në Ukrainë.

Në vitin 2016, Poçuça lidhi marrëveshje me Gjykatën e Lartë në Beograd dhe u dënua me një vit e gjysmë burg, si dhe pesë vjet me kusht.

Sot ai është anëtar i partisë së djathtë parlamentare Zavetnici.

Protesta e djathtistëve në Beograd, 24 mars 2023.

Protesta e djathtistëve në Beograd, 24 mars 2023.

Lëvizja Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë njoftuan në protestë se edhe në qytete të tjera “nëpër Serbi” kanë organizuar tubime dhe “bllokim” të selive të institucioneve.

“Nëse nuk ka revokim të pranimit të ultimatumit të ri perëndimor, atëherë zgjidhja e vetme është dorëheqja e presidentit të Republikës dhe e Qeverisë së Serbisë, si dhe të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet”, tha udhëheqësi i lëvizjes Dveri, Boshko Obradoviq, në një fjalim para gazetarëve, gjatë protestës para Qeverisë në Beograd.

Ai ka paralajmëruar edhe paraqitjen e kallëzimit penal kundër presidentit të Serbisë për, siç ka thënë, “veprën penale të njohjes së okupimit dhe rrënimit të rendit kushtetues” dhe se gjithashtu do t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.

Liderët e Dverit dhe Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Boshko Obradoviq dhe Milosh Jovanoviq, në protestë para Qeverisë në Beograd, 24 mars 2023.

Liderët e Dverit dhe Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Boshko Obradoviq dhe Milosh Jovanoviq, në protestë para Qeverisë në Beograd, 24 mars 2023.

Protesta në qendër të Beogradit, me moton “Jo kapitullimit”, filloi në orën 12 e 44 minuta, si aludim për Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën dhe në ditën kur filluan bombardimet e NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme, në vitin 1999.

Më 24 mars 1999, NATO-ja filloi intervenimin e saj për shkak të eksodit dhe krimeve të luftës të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare gjatë luftës në Kosovë.

Më 23 mars, Dveri, Zavetnici, Partia e Re Demokratike e Serbisë dhe Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë u dërguan një letër zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe ambasadave të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, në të cilën shprehën kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes evropiane dhe vlerësuan se ajo është “e pavlefshme”.

Letra iu drejtua përfaqësuesve të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, deputetëve të Parlamentit Evropian dhe ambasadave të Spanjës, Rumanisë, Greqisë, Qipros dhe Sllovakisë. Katër partitë opozitare të krahut të djathtë organizuan gjithashtu një protestë më 17 mars, një ditë para takimit mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Ohër, në Maqedoninë e Veriut.

Disa mijëra njerëz më pas kanë shkuar në këmbë nga Kisha e Shën Savës deri në ndërtesën e Presidencës së Serbisë, me kërkesën që Vuçiq të refuzojë në Ohër planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke e quajtur këtë marrëveshje si “tradhti”.

Në mesin e pjesëmarrësve në protestë, ishte një grup burrash të cilët bartnin veshje me shenjat e formacionit paraushtarak rus Wagner.

Partitë që bënë thirrje për protestën ruajnë lidhje të ngushta me Rusinë, ndërkaq përfaqësuesit e tyre, në muajt e fundit kanë udhëtuar në Moskë.

Partitë dhe lëvizjet e djathta që organizuan protestën kanë 28 nga 250 ulëset parlamentare në Kuvendin e Serbisë.

Përfaqësuesit e këtij grupi e konsiderojnë marrëveshjen me Kosovën si ultimatum për njohje.

Në një takim në Ohër, më 18 mars, liderët e Serbisë dhe Kosovës ranë dakord për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk kanë nënshkruar asnjë dokument në Ohër, ndërmjetësit evropianë presin që palët të zbatojnë gjithçka që liderët kanë rënë dakord.

Serbia dhe Kosova ranë dakord që të mos bllokojnë zbatimin e asnjë neni të Marrëveshjes.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha më 21 mars se Beogradi nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe se nuk bëhet fjalë për njohje.

Me këtë marrëveshje, Kosova u zotua që të fillojë të sigurojë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme nga dialogu.

Marrëveshja nuk përmend njohjen reciproke, por thekson se palët duhet të respektojnë pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial.

Në Ohër u ra dakord që këto dokumente të bëhen pjesë integrale e procesit të integrimit të Serbisë dhe Kosovës në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, shpjegoi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL) se palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, sepse presidenti serb deklaroi se ai kishte “kufizime kushtetuese” dhe për këtë arsye nuk ishte në gjendje të nënshkruante dokumentin.

Sipas Lajçakut, pavarësisht mungesës së nënshkrimit, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët, sepse ato janë pajtuar që ky dokument të formalizohet përmes një deklarate të përfaqësuesit të lartë të BE-së.

Dodik bëri thirrje për bashkimin e Republikës Sërpska dhe Serbisë

RFE/RL

Në përvjetorin e bombardimeve, Dodik bëri thirrje për bashkimin e RS-së dhe Serbisë

Të ardhmen e shoh në bashkimin e Serbisë dhe Republikës Sërpska, tha Milorad Dodik, lider i Republikës Sërpska, entiteti ky i Bosnje e Hercegovinë’

Dodik e bëri këtë deklaratë, të premten, më 24 mars, në Sombor, ku zyrtarët e Serbisë po e shënojnë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Bombardimi i ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, në vitin 1999, filloi për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

Në fjalimin zyrtar, Dodik përsëriti kërcënimet për shkëputjen e Republikës Sërpska(RS).

“Tani ata duan të rrëmbejnë pronën, ndërkaq unë u them – në momentin që ju përpiqeni të rrëmbeni pronën tonë, ju keni thirrur një seancë të Kuvendit të Republikës Sërpska, ku do të marrim një vendim për pavarësinë e Republikës Sërpska. Mjaft më me premtimet e juaja të rreme, nuk do t’ju shikoj dhe nuk do t’ju duroj”, tha Dodik.

Mesazhi i tij vjen një ditë pas vendimit të Qeverisë së Republikës Sërpska (RS) për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Britaninë e Madhe dhe publikimit të një projektligji që detyron organizatat joqeveritare të raportojnë të gjitha transaksionet që financohen nga jashtë.

Vendimi është marrë në seancën e qeverisë së këtij entiteti, të enjten, më 23 mars, në Banja Llukë.

“Ata duan vetëm një gjë, që serbët të largohen. Rroftë ideja e bashkimit të popullit serb. Dhe ne duam të bashkohemi. Do ta bëjmë në mënyrë paqësore”, tha Dodik.

Në vargun e vendimeve të diskutueshme, Asambleja e RS miratoi gjithashtu një projektligj, me të cilin shpifja dënohet penalisht, me gjoba deri në 60,000 euro.

Nndaj ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike dhe shënjestrimit të organizatave joqeveritare, ndër të parat ka reaguar Ambasada e SHBA-së në Sarajevë, e cila tha se njoftimet e kryetarit të Republikës Sërpska janë “edhe një hap tjetër në rrugën e rrezikshme që ai zgjodhi – rruga e izolimit dhe e sundimit autoritar”.

Bashkimi Evropian reagoi gjithashtu edhe ndaj ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës Sërpska, të cilat rivendosin dënimet penale për shpifje. Duke shprehur keqardhjen, siç raportohet, ajo bëri thirrje që amendamenti të tërhiqet.

Pavarësisht thirrjeve të shumta nga komuniteti ndërkombëtar, se bëhet fjalë për ligje që nuk janë vlera evropiane, Dodik nuk hoqi dorë nga synimi i tij për miratimin e tyre.

Lideri i Republikës Sërpska tashmë është në listën e personave të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, për korrupsion dhe shkelje të legjitimitetit dhe funksionalitetit të shtetit të Bosnje e Hercegovinës.

Udhëheqësi prorus i Bullgarisë refuzon të dërgojë avionë dhe tanke në Ukrainë

Sistem i antiraketor ish-sovjetik.

Georgi Angelov, Tony Weselowsky

Me rezervat e saj të armëve të epokës sovjetike, Bullgaria, shtëpia e një industrie të lulëzuar armësh, mund të jetë një aleat kyç i Ukrainës, e cila është trajnuar dhe pajisur me armë të tilla në luftën e saj kundër forcave pushtuese ruse.

Bullgaria, aktualisht, e ka Parlamentin e shpërbërë dhe më 2 prill do t’i zhvillojë zgjedhjet parlamentare, të cilat janë zgjedhjet e pesta të parakohshme në dy vjet.

Në këtë kohë të pasigurisë politike, qeveria në detyrë nuk ka gatishmëri që t’i ofrojë ndihmë me armë vdekjeprurëse Kievit.

Këtë e ka shfaqur edhe presidenti bullgar, Rumen Radev, i cili njihet për prirjet e tij në përkrahje të Kremlinit.

Radev, një ish-pilot i forcave ajrore, fuqizoi qëndrimin e ashpër më 21 mars, duke mos u bashkuar me një mori shtetesh të BE-së për të furnizuar Ukrainën me të paktën 1 milion predha artilerie gjatë vitit të ardhshëm.

“Bullgaria nuk mbështet dhe nuk është pjesë e urdhrit të përgjithshëm për furnizimin me predha Ukrainën”, tha Radev.

“Vendi ynë do të mbështesë përpjekjet diplomatike evropiane për të rivendosur paqen”, tha ai.

Radev shtoi, gjithashtu, se Bullgaria nuk do t’i japë Ukrainës avionë luftarakë, sisteme të mbrojtjes raketore ose tanke për sa kohë që qeveria aktuale e përkohshme është në pushtet.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.

Radev, së bashku me Dimitar Stojanovin, ministër në detyrë i Mbrojtjes bullgare, kanë deklaruar së fundmi se transferimi i disa prej rezervave ushtarake të vendit, duke përfshirë tanket dhe avionët e kohës sovjetike, ose sistemet e mbrojtjes ajrore S-300, do të dobësonte mbrojtjen e vendit. Këto deklarime analistët i cilësuan të dyshimta.

Sofja, po ashtu, duket se nuk e pranon ofertën nga Uashingtoni: dhuroni pajisjet tuaja të epokës sovjetike në Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara do t’i zëvendësojnë ato me sisteme moderne ose para. Sllovakia dhe Greqia janë dy shtete të NATO-s që do ta pranojnë këtë ofertë të Uashingtonit.

Përfitimet nga kjo marrëveshje ishin të dukshme më 22 mars kur ministri sllovak i Mbrojtjes, Jaroslav Nadd, njoftoi se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Sllovakisë 12 helikopterë të rinj Bell AH-1Z Viper me rreth 75 për qind zbritje pasi Bratislava dërgoi avionët e saj luftarakë MiG-29 në Ukrainë.

Dhe, Bullgaria sigurisht që ka nevojë t’i modernizojë forcat e saj të armatosura, argumenton Atanas Zapryanov, një ish-zëvendësministër bullgar i Mbrojtjes, duke pretenduar se shumica e rezervave të saj gjithsesi se janë gati për t’u çmontuar.

“Ju garantoj se pas pesë vjetësh, shënoni fjalët e mia, se do të thuhet se ky skrap është i kotë dhe ne duhet t’i hedhim dhe të blejmë të reja”, tha Zapryanov për Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë.

Në Parlament, kundërshtimi për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës ka ardhur pikërisht nga Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe partia e ekstremit të djathtë Rilindja. Edhe qeveria pro-perëndimore e udhëhequr nga Petkov që ishte në detyrë nga dhjetori 2021 deri në korrik 2022 nuk ishte në gjendje që me partnerët e saj të koalicionit ta kapërcejë atë kundërshtim.

Në maj 2022, Parlamenti votoi vetëm në favor të riparimit të pajisjeve ushtarake ukrainase në uzinat në Bullgari, duke hedhur poshtë një ofertë të qeverisë për të dërguar një paketë armësh në Kiev.

Sidoqoftë, deri në dhjetor 2022, fraksioni pro-perëndimor ishte në gjendje të merrte miratimin për paketën e parë të armëve për Ukrainën, megjithëse jo pajisje të rënda. Lista e armëve në atë paketë ishte e klasifikuar, por zyrtarët qeveritarë kishin thënë se Sofja do të dërgonte kryesisht armatime të lehta dhe municione.

Deri atëherë, Bullgaria, së bashku me Hungarinë e udhëhequr nga kryeministri miqësor ndaj Kremlinit, Viktor Orban, kishin qenë dy kombet e vetme në BE që refuzuan thirrjet e Ukrainës për ndihmë ushtarake.

Ndihma e fshehtë ushtarake

Megjithatë, në prapaskenë Bullgaria ka të ngjarë të bëjë shumë më tepër. Petkov tha kohët e fundit se Bullgaria kishte furnizuar në mënyrë të fshehtë Ukrainën me municion dhe naftë shumë të nevojshme në muajt e parë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë më 24 shkurt 2022.

Qershorin e kaluar, Alexander Mikhailov, drejtor i atëhershëm i Kintex, një kompani shtetërore e tregtisë së armëve dhe municioneve, tha se Bullgaria kishte dërguar 4.200 tonë armë në Ukrainë nëpërmjet Polonisë.

Këto përpjekje për ndihmë ushtarake për Ukrainën mund të shpjegojnë pjesërisht një seri shpërthimesh në depot e municioneve në Bullgari në vitet e fundit mes dyshimeve për spiunazh rus, ka zbuluar një hetim special i Radios Evropa e Lirë.

Por, zyrtarisht, sipas Institutit gjerman të Kielit për Ekonominë Botërore, i cili ka gjurmuar forma të ndryshme të ndihmës së jashtme për Ukrainën, Ministria bullgare e Mbrojtjes e kishte furnizuar Ukrainën me helmeta, jelekë, kuti të ndihmës së parë, veshje dimërore dhe çizme para se Parlamenti të miratonte dërgesat e armëve në dhjetor 2022.

Ky votim i dhjetorit mund të tregojë për një shtyrje të mundshme nga Sofja, por me shpërbërjen e Parlamentit dhe Radevin, i cili fitoi një mandat të dytë presidencial në nëntor 2021 me mbështetjen e BSP-së, tani për tani, duket e pamundur.

Bullgaria ka një industri të lulëzuar armësh, e gjashta më e madhe në Evropë dhe e specializuar në prodhimin dhe përmirësimin e sistemeve të armëve të epokës sovjetike. Në vitin 2021, prodhimi vendas i armëve gjeneroi më shumë se 1 miliard leva (gati 550 milionë dollarë), me një pjesë të madhe të prodhimit të destinuar për vendet e tjera të NATO-s, si dhe shtete në Afrikë dhe Azi.

Reuters raportoi në nëntor 2022 se fabrikat e armëve në Evropën Lindore dhe Qendrore kanë “shfrytëzuar armë, municione dhe furnizime të tjera ushtarake me një ritëm që nuk është parë që nga Lufta e Ftohtë” për të ndihmuar kundër forcave pushtuese ruse.

SHBA ofron një dorë ndihmëse

Më 6 janar, Uashingtoni njoftoi një ndihmë të re ushtarake prej 682 milionë dollarësh për “partnerët dhe aleatët evropianë për të ndihmuar në nxitjen dhe plotësimin e donacioneve të pajisjeve ushtarake për Ukrainën”.

Jo vetëm që Bullgaria mund të përdorte atë fond për të modernizuar ushtrinë e saj në këmbim të transferimit të disa prej sistemeve të saj më të vjetra në Ukrainë, por më herët, në tetor 2022, Ambasada e SHBA-së në Bullgari njoftoi për financimin me gati 40 milionë dollarë sipas një skeme të ngjashme vetëm për vendin ballkanik.

Në dhjetor 2022, një delegacion amerikan mbërriti në Sofje për bisedime rreth dërgesave të mundshme të armëve bullgare në Ukrainë. Në veçanti, zyrtarët amerikanë ofruan sisteme të papërcaktuara të armëve amerikane në këmbim të dërgimit të një sistem të mbrojtjes ajrore ‘S-300’ të Bullgarisë në Ukrainë.

Një kërkesë e tillë e SHBA-së thuhet se ishte thënë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, kur ai vizitoi Sofjen më 19 mars 2022, pa sukses.

Këtë herë, zyrtarët amerikanë thuhet se ofruan më shumë se 240 milionë dollarë stimuj financiarë për të bindur homologun e tyre bullgar, thanë për Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë disa burime që kanë njohuri për bisedimet.

Ministria bullgare e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse kishte shprehur interesim për të marrë pjesë në atë që njihet zyrtarisht si programi i financimit të jashtëm ushtarak të Uashingtonit.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së refuzoi gjithashtu të thoshte nëse zyrtarët bullgarë kishin shprehur interes për programin.

Bullgaria raportohet se i ka 4 apo 5 MiG-29.

Bullgaria raportohet se i ka 4 apo 5 MiG-29.

Radev tha se nëse Bullgaria do t’i dhuronte Ukrainës disa nga sistemet e saj raketore të epokës sovjetike si S-300 dhe S-200, si dhe avionë ushtarakë MiG-29 dhe Su-25 dhe tanke T-72, atëherë do t’i duhen zëvendësimet.

“Si komandant suprem i forcave të armatosura, unë jam i detyruar të këmbëngul që potenciali mbrojtës i ushtrisë bullgare të mos dobësohet në këtë situatë komplekse, por përkundrazi, duhet të ruhet dhe zhvillohet”, u zotua Radev.

Megjithatë, zyrtarët e lartë bullgarë duket se po injorojnë një mundësi të artë për ta modernizuar ushtrinë e tyre me ndihmën bujare nga Uashingtoni, tha Zapryanov.

“Nga ky miliard [në dollarë amerikanë në ndihmë ushtarake të shpallur në shtator 2022 nën programin e financimit të jashtëm ushtarak FMF], [Qeverisë bullgare] do t’i jepen para për të blerë çfarë të duan”, tha Zapryanov për Radion Evropa e Lirë.

Sllovakia mund të shërbejë si një model për Bullgarinë, vuri në dukje Zapryanov.

Më 17 mars, Sllovakia njoftoi se do të dërgojë të 13 avionët e saj MiG-29 në Ukrainë në një datë të pacaktuar.

Në këmbim, Shtetet e Bashkuara do të kompensojnë transferimin me 745 milionë dollarë materiale mbrojtëse, ndërsa BE-ja do të sigurojë 200 milionë euro.

Nëse Bullgaria do të furnizonte Ukrainën me sistemin e saj S-300, ajo do të merrte jo vetëm fonde për armë më moderne, por edhe mbrojtjen e qiellit të saj nga sistemet e baterive të raketave Patriot nën misionin e mbrojtjes ajrore të NATO-s, siç është bërë në Sllovaki, tha Zapryanov.

Plus, sistemet e vjetruara S-300 te të cilat tani mbështetet Bullgaria, do të çmontohen brenda dy ose tre vjetësh, pohoi Zapryanov.

Sido që të jetë, 4 apo 5 avionët MiG të Bullgarisë mund të hiqen nga shërbimi tashmë në fund të këtij viti.

Përgatiti: Shkelqim Hysenaj

Qeveria e Republikës Sërpska miraton ligjin për “agjentët e huaj”

RFE/RL

Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar një projektligj, përmes së cilit u kërkon organizatave jofitimprurëse të financuara nga jashtë që veprojnë në njësinë serbe të Bosnjës, të regjistrohen dhe të raportojnë për punën e tyre.

Projektligji, i cili u mbështet nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik, u miratua më 23 mars nga qeveria.

Dodik thotë se legjislacioni do t’u kërkojë organizatave të financuara nga jashtë që veprojnë në Republikën Sërpska – entiteti i Bosnjë e Hercegovinës që Dodik drejton – të raportojnë “gjithçka që po bëjnë”.

Komunikata e lëshuar pasi qeveria miratoi masën, thoshte se ligji ekzistues për shoqatat dhe fondacionet e financuara nga jashtë rregullon themelimin, regjistrimin, organizimin e brendshëm dhe ndërprerjen e punës së tyre, por jo transparencën e tyre.

Në komunikatë thuhet se aktiviteti i tyre politik, publikimi i raporteve financiare dhe “mbikëqyrja e ligjshmërisë së punës së tyre dhe dispozita të tjera” janë ndër gjërat që nuk janë rregulluar.

Qeveria pretendon se ky boshllëk në rregullore krijon një situatë që mund të çojë në “kolapsin e sistemit ligjor dhe kornizës kushtetuese të [Republikës Sërpska], dhu mund të shkaktojë pasoja të dëmshme për institucionet dhe organizatat e [Republikës Sërpska]”.

Projektligji tani kalon në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska për debat. Kjo do të pasohet nga një periudhë dymujore për diskutim publik. Një version i përshtatur i ligjit do të kthehet më pas në Asamblenë Kombëtare për më shumë diskutim dhe votim.

Nëse kalon, ligji do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të presidentit.

Dodik, kreu i partisë më të madhe politike në Republikën Sërpska, Aleanca e Social-Demokratëve të Pavarur (SNSD), ka thënë më parë se projektligji bazohet në Aktin e Regjistrimit të Agjentëve të Huaj të SHBA-së (FARA).

Një ligj i ngjashëm për “agjentët e huaj” në Rusi ka rezultuar i diskutueshëm dhe është përdorur për të penguar punën e organizatave mediatike, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se Rusia përdor ligjin e saj për “agjentët e huaj” për të heshtur mospajtimet dhe për të dekurajuar shkëmbimin e lirë të ideve dhe kanë thënë se nuk ka “asnjë ngjashmëri” midis ligjit për “agjentët e huaj” të Rusisë dhe FARA-s së SHBA-së.

Sipas regjistrit të shoqatave dhe fondacioneve, Bosnja ka rreth 25,600 organizata joqeveritare, duke përfshirë 7,500 me bazë në Republikën Sërpska. Nuk ka të dhëna se sa prej tyre financohen nga jashtë.

Daçiq flet për Marrëveshjen e Ohrit: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara

RFE/RL

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën në Ohër, por deri te vijat e kuqe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kanë arritur pajtueshmëri më 18 mars në Ohër për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Daçiq në Bruksel, ku ka marrë pjesë në një konferencë donatorësh për mbledhjen e fondeve, pas tërmetit që ka goditur Turqinë dhe Sirinë muajin e kaluar.

Shefi i diplomacisë serbe ka thënë se në Ohër janë ruajtur interesat kombëtare serbe.

Sipas tij formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të jetë ligjërisht obligues për Prishtinën.

Procesi i dialogut, sipas tij, është vetëm në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve dhe asgjë më shumë se kaq.

“Mendoj se është vazhdimësi e asaj që kemi filluar rreth 10 vjet më parë, dhe në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme të dihet se kjo është një marrëveshje për hapat e mëtejshëm në normalizimin e marrëdhënieve, dhe jo për çështjet e statusit”, është shprehur ai.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 18 mars se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, u ka thënë të hënën ministrave të BE-së se është urgjente që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa pajtimin e arritur në Ohër e ka quajtur si një “status quo të re“ në dialog.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.


Send this to a friend