VOAL

VOAL

BANORËT E KUMANOVËS PYESIN – KU JANË BDI DHE AHMETI?!

VOAL – KUMANOVË – Banorët e Kumanovës apelojnë që partia shqiptare në pushtet më në fund të flas dhe të thyejë heshtjen.

Kjo thirrje bëhet nga Këshilli emergjent për ndihma që është formuar për t`i dalë në ndihmë banorëve të Lagjes së Trimave ku ndodhën përleshjet dhe terrori i paparë për banorët.

“Përveç një komunikate të lëshuar në mëngjesin e parë të së shtunës, kur kishin filluar krismat në Lagjen e Trimave, partia shqiptare në pushtet është mbyllur në heshtje. Pse heshtin, pse nuk dalin të flasin dhe të sqarojnë çfarë është puna, çfarë ka ndodhur. Ata janë njerëzit që i njohin që ishin këtu si pjesëtar të grupit të armatosur. Është e pafalshme kjo që po ndodhë dhe turp për politikën shqiptare. Ata duhet të japin sqarime dhe llogari, përfshirë edhe do parti tjera”, theksoi për INA, një aktivistë i këtij Këshilli për emergjencë për të ndihmuar banorët e Lagjes së Trimave.

Në lagjen ku ndodhën luftimet është një fotografi rrënqethëse. Banorët nuk shpresojnë shumë se do të ndodhë diçka e mirë për ta pas gjithë këtij terrori dhe dëmeve shpirtërore dhe materiale që kanë përjetuar. Ata apelojnë që bashkësia ndërkombëtare të përfshihet në hetimin e plotë të gjithë asaj që ndodhi dhe të ndihmojë në revitalizimin e kësaj lagje.

Asan.S nga Kumanova thekson se faktori ndërkombëtarë është e vetmja garancë që mund të bëj hetim transparent dhe të na tregojë se çka në të vërtetë ka ndodhur, por edhe të sigurohen mbështetje dhe ndihma për gjithë popullatën që ka përjetuar dëme të mëdha.

Dy përfaqësuesit shqiptarë të partive kryesore politike BDI dhe PDSH ishin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare tek presidenti Gjorgje Ivanov, por ata nuk janë deklaruar as para dhe pas takimit, për të dhënë vlerësimet për situatën e krijuar.

KËSHTU DUKET SOT LAGJIA E TRIMAVE NË KUMANOVË – TEKST DHE FOTOGALERI

VOAL – LAGJIA E TRIMAVE, KUMANOVË – Pamje të tmerrshme në Lagjen e Trimave në Kumanovë, pas përleshjeve dyditëshe, sjell sot ina.

Rrugët e lagjes me shtëpi të rrënuara, dëme të mëdha, por edhe banorë me lot në sy, që nuk mund të shohin shtëpitë e tyre.

Një pjesë e tyre akoma nuk kanë mbërritur, për shkak ishin strehuar në vende më të largëta. Pamjet janë rrëqethëse me një kaos të tmerrshëm, shtëpi të rrënuara, rrugë me përplot gëzhoja plumbash, kabllo të energjisë të shpërndara rrugëve, makina të djegura, kafshë të ngordhura dhe pamje tjera rrëqethëse.kumanova duket2kumanova duket2kumanova duket3kumanova4kumanova5kumanova6kumanova7kumanova8kumanova9kumanova11

MANIFESTIM SPONTAN NË TIRANË ‘KUMANOVË NUK JE VETËM’

VOAL – TIRANË – Dhjetëra të rinj të Tiranës dhe shoqëria civile u solidarizuan mbrëmë me shqiptarët e Kumanovës, në një protestë paqësore.

Ata u mblodhën në orën 18:30 para Piramidës me parulla në duar ku shkruanin, “Kumanovë nuk je vetëm” dhe flamuj kombëtarë. Protestuan paqësisht për disa minuta me radhë fillimisht para Piramidës dhe më pas u zhvendosën përballë Ambasadës maqedonase në vendin tonë.

Thirrjet në kor ishin një: “O çohuni burra, o çohuni gra, për Kumanovën duhet me ra!”.

kumanov2

 

 

ZËRI I AMERIKËS – PAQARTËSI RRETH NGJARJEVE NË KUMANOVË

Autoritetet maqedonase e kanë quajtur operacionin e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë kundër një grupi të armatosur, si më të vështirin ndonjëherë për forcat e sigurisë së vendit. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se aksioni nuk u zhvillua kundër popullatës shqiptare, ndërsa shprehu mirënjohje për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve etnike në radhët e policisë. Policia speciale u tërhoq mbrëmë nga Kumanova, ku mbetën të vrarë 14 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe tetë policë.

Autoritetet maqedonase thanë të dielën se është neutralizuar, sipas tyre, plotësisht grupi terrorist më i rrezikshëm në Ballkan, ndërkohë që radhitën emrat e pesë shtetasve të Kosovës si drejtues të grupit.

Sipas organeve të rendit ata jane: Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli, Beg Rizaj, Demë Shehu, Muhamet Krasniqi si komandant Malisheva dhe Mirsad Ndrecaj. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski u tha gazetarëve se katërmbëdhjetë trupa janë gjetur gjatë operacionit, në mesin e të cilëve ai i Xhafer Zymberit nga Gjakova.

Organet shtetërore thonë se tridhjetë terroristë u janë dorëzuar forcave policore, të gjithë shtetas të Maqedonisë dhe një shtetas i Shqipërisë.

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski e quajti një aksion heroik atë të policisë speciale maqedonase kundër atyre që mendohet të ishin një grup i armatosur në Kumanovë, të cilëve autoritetet maqedonase u referohen me termin “terroristë”.

Zoti Gruevski duke folur në një konferencë për mjetet e informimit tha të dielën se operacioni ishte një ndër më të vështirët për forcat policore të vendit. Gjatë aksionit kanë marrë pjesë të gjitha bashkësitë etnike, tha ai. Për jetët e humbura të tetë policëve, njëri prej të cilëve i përkatësisë etnike shqiptare, kryeministri maqedonas tha se ata ndoshta penguan vdekjen e tetë mijë njerëzve!

Për personat e arrestuar si pjesëtarë të grupit të armatosur, zoti Gruevski tha se do të gjykohen në bazë të ligjeve të Maqedonisë. Sipas kryemnistrit, disa nga personat që ishin të përfshirë në përleshjet me policinë, kishin marrë pjesë edhe në incidentin e fshatit Goshincë, para pak javësh. Autoritetet maqedonase vlerësojnë se synimi i këtij grupi ishte destabilizimi i Maqedonisë dhe sulmet kundër institucioneve të saj.

Ndërkohë presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, mblodhi Këshillin e Sigurisë, ku bëjnë pjesë drejtuesit më të lartë shtetërorë dhe ministra të resorëve të sigurisë,  si dhe anëtarë të zgjedhur nga presidenti. Gjithashtu të ftuar ishin drejtuesit e partive kryesore. Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së dërguan përfaqësues të tyre, ndërsa Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate të opozitës mori vetë pjesë në takim.

Policia me autoblindat dhe armatimin e saj u tërhoq pak para mbrëmjes së djeshme nga Lagja e Trimave në Kumanovë. Rezultati i përleshjeve është 22 të vrarë, sipas të dhënave zyrtare, mes tyre tetë policë dhe 14 pjesëtarë të grupit kundërshtarë.

Ndërkohë, në lidhje me zhvillimet në Kumanovë, është mbledhur në një takim Këshilli i përbashkët i misioneve të jashtme diplomatike, që përfshin ambasadorët e BE-së, SHBA-së, OSBE-në dhe përfaqësues të NATO-së, për të vlerësuar gjendjen e krijuar.

Këshilli shprehu keqardhje për jetët e humbura gjatë operacionit në Kumanovë, ndërsa e dënoi fuqishëm dhunën.

Në emër të këtij Këshilli foli ambasadorja Marijan Berezc, e OSBE-së në Shkup, duke theksuar besimin se ky është çasti kur drejtuesit politikë duhet të përfshihen në dialog për të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohet vendi, përfshi edhe krizën e stërzgjatur politike dhe reformat e nevojshme. “Besojmë fort se nuk guxohet që të lejohet prishja e marrëdhënieve në shoqëri”, tha ambasadorja.

Zhvillimet në Kumanovë, kanë nxitur, nga ana tjetër, dyshime te një pjesë e opinionistëve, për shkak të kohës që ndodhi e që përputhet me krizën politike dhe me skandalin e madh të përgjimeve.

Opozita maqedonase sidomos, por dhe mjaft analistë shqiptarë janë të prirur të besojnë se ngjarjet në Kumanovë janë sajuar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga kriza reale që ka përfshirë vendin dhe për të futur frikën tek popullata që të mos dalë në protestat, të cilat synojnë rrëzimin e pushtetit.

TIRANA I KËRKON SHKUPIT TRANSPARENCË MBI ZHVILLIMET NË KUMANOVË

VOAL – TIRANË – Qeveria e Shqipërisë i bëri sot në mbrëmje thirrje autoriteteve maqedonase që të bëjnë transparencë të plotë dhe një hetim të thellë bazuar në fate e prova të besueshme për ngjarjet e dy ditëve të fundit në Kumanovë, ndërsa theksoi se kriza politike në Maqedoni nuk duhet të konvertohet në një krizë ndëretnike.

Qeveria shqiptare deklaron se ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë. “Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas. Në këto kushte është më shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptare”.

Tirana shpreh shqetësim për mungesën e informacioneve të plota mbi ngjarjen. “Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e rënda të Kumanovës, të cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t’ia lerë vendin sa më parë, transparencës së plotë për këtë ngjarje”, thekson deklarata ndërsa vë në dukje se “përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund”.

Qeveria shqiptare nënvizon se autoritetet ligjzbatuese në Maqedoni duhet “të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit. Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë”.

Qeveria shqiptare deklaron se “dënon çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike që aspiron integrimin euro-atlantik”, duke shtuar gjithashtu se “do ta konsideronte jo vetëm kundër produktive po edhe të papranueshme për ambicien europiane të rajonit, çdo paragjykim mbi baza etnike të çdo personi apo grupi personash të armatosur”.

Tirana “thekson me forcë po ashtu se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë”, ndërsa “bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”, përfundon deklarata e Qeverisë së Shqipërisë. za

ZHURNAL – MË SE 50 GRA, FËMIJË DHE PLEQ SHQIPTARË NGA KUMANOVA PO MERREN NË PYETJE NË POLICI

VOAL – KUMANOVË – Më shumë se 50 shqiptarë që kanë banuar në lagjen e Trimave në Kumanovë gjenden në stacionet policore në bisedë informative bëjnë të ditur informacione jozyrtare nga terreni. Në mesin e tyre gra, pleq dhe fëmijë.

Informacionet jozyrtare flasin se këta persona janë marrë nga policia në bisedë informative për kinse a kanë dijeni me grupin e armatosur që dje u përleshë me policinë maqedonase ku 5 pjestarë të njësiteve speciale humbën jetën, ndërsa më shumë se 20 policë u plagosën.

Familjarët e këtyre mbi 50 personave kërkojnë ndihmë nga institucionet përgjegjëse dhe OSBE-ja që të dinë më shumë për fatin e tyre, pasi në mesin e tyre ka fëmijë , grad dhe pleq./zhurnal.mk/

OBORRI MBRETËROR SHQIPTAR – NDËRHYRJA USHATARAKE NDAJ CIVILËVE TË NDALOJË MENJËHERË

VOAL – TIRANË – Familja Mbretërore Shqiptare po ndjek me shqetësim të madh situatën e fundit në Kumanovë.Sipas një komunikate për media, Familja Mbretërore Shqiptare thotë se tensionet e përsëritura demonstrojnë dështimin e faktorit politik në Maqedoni, për të krijuar një ambient të sigurt dhe stabilitet.

“Diskriminimi i vazhdueshëm dhe racizmi janë në mospërputhje të plotë me Marrëveshjen e Ohrit dhe çojnë në tension të mëtejmë dhe trazira nëse mbeten të pazgjidhura”, thuhet në këtë komunikatë.

Në fund, Familja Mbretërore Shqiptare thotë se ndërhyrja ushtarake ndaj civilëve duhet të ndalojë menjëherë.

“Lutjet tona shkojnë për ato familje të cilat janë lënduar nga ky aksion ushtarak”, përfundon komunikata e Familjes Mbretërore Shqiptare e nënshkruar nga Princi Leka.

ANALISTËT – KUMANOVA U INSKENUA NGA GRUEVSKI, PËR TË QËNDRUAR NË PUSHTET

VOAL – SHKUP – Vala e fundit e incidenteve të dhunës në Maqedoni duke e përfshirë eshte këtë në Kumanovë, ku janë shkaktuar dëme të mëdha dhe pasoja katastrofale, ka shkaktuar reagime të shumta nga analistë maqedonas dhe ndërkombëtarë.

Ekspertë të mirënjohur maqedonas dhe ndërkombëtare dyshojnë se incidentet e dhunës në Maqedoni mund të jenë përpjekje e qeverisë maqedonase për të devijuar vëmendjen nga kriza e brendshme politike duke synuar që ta shndërrojnë atë në krizë ndëretnike e cila implikon tërë rajonin.

Gazetarja e mirënjohur maqedonase, Tanja Milevska, e cila aktualisht punon si korrespondente e “Huffington Post” në Bruksel, është shprehur se “në thelb, qëllimi është për të shpallur një lloj gjendjeje emergjente me synim ndalimin e protestave të planifikuara. Së këndejmi, terrorizmi del të jetë një justifikim ideal”.

Hulumtuesi dhe analisti i shquar britanik pranë universitetit prestigjioz “London School of Economics”, James Ker-Lindsay, thotë se “pas zbardhjes së skandaleve të qeverisë nga ana e opozitës, opinioni reagoi ashpër dhe tani vendi përnjëherë përballet me tensione të reja etnike”.

Maqedonasi Goran Peoski nënvizoi faktin që disa njerëz në Maqedoni druajnë se qeveria ka inskenuar akte “terroriste” dhe tani po i përgatitë anëtarët dhe përkrahësit e saj që t’i djegin pronat e shqiptarëve që situata të eskalojë.kp

KUMANOVË – PESË POLICË TË VRARË, 30 TË PLAGOSUR

VOAL – SHKUP – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë tha se pesë policë janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve të së shtunës në Kumanovë. Ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska tha se nuk ka informacione për pasoja në mesin e civilëve dhe nuk nuk ka njohuri të sakta për  numrin e viktimave nga radhët e grupit të armatosur me të cilin pothuajse gjatë tërë ditës kishte shkëmbim zjarri.

Qyteti i Kumanovës, në veri të Maqedonisë, rreth 40 kilometra larg Shkupit, u gdhi të shtunën nga të shtëna të fuqishme. Sipas autoriteteve, një grup prej dhjetëra personash të armatosur mirë, kanë ndërmarrë sulme me pushkë automatike dhe me bomba, që përbën, sipas tyre, një akt terrorist. Krismat kanë vazhduar deri në orët e mbrëmjes.

Forca të shumta policore kanë ndërmarrë aksion kundër këtij grupi që nuk eshtë parë nga burime të pavarura.

Nga ana tjetër, banorë të qytetit flasin për pasoja në njerëz, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar mbi numrin e viktimave eventuale, apo dhe të të plagosurve.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se grupi i armatosur, i veshur me uniforma të zeza, synonte të kryente sulme kundër institucioneve shtetërore. Zëdhënësi i ministrisë Ivo Kotevski tha se bëhet fjalë për një grup të stërvitur mirë që kreu sulme me armë automatike dhe me bomba.

Polica ka bllokuar rrugët e qytetit për orë të tëra. Ka shtëpi që u dogjën nga artileria, ndërsa disa familje me fëmijë të vegjël janë parë duke u larguar nga zona me valixhe.

Lagja e njohur si Divnaselë ose së fundmi si Lagja e Trimave është e banuar kryesisht nga shqiptarë.

Ekipe të gazetarëve janë penguar nga policia që të afrohen tek vendi i ngjarjes. Madje, një televizion që transmeton në gjuhën shqipe, ka njoftuar se ekipi i tij është kërcënuar nga pjesëtarët e policisë dhe se i është marrë video-materiali i regjistruar.

Lidhur me zhvillimet kanë reaguar partitë politike dhe komuniteti ndërkombëtar.

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate u bën thirrje banorëve që të jenë të përmbajtur, të ruajnë gjakftohtësinë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

BDI konsideron që zhvillimet e së shtunës në Kumanovë janë veprime që bien ndesh me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në Luginën e Preshevës.

Me thirrjen për qetësi ka dalë edhe Partia Demokratike Shqiptare, e cila kërkon nga Ministria e Rendit që të mos cenojnë jetët dhe pronat e qytetarëve.

Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate e opozitës u bën thirrje banorëve që të mos bien nën ndikimin e skenarëve të errëta për nxitjen e konfliktit dhe destabilizimit të Maqedonisë. Kryetari i kësaj partie, Zoran Zaev u bëri thirrje kryeministrit Gruevski dhe Ali Ahmetit të BDI-së që t’u shpjegojnë qytetarëve të Maqedonisë se ç’farë po ndodh, se kush dhe pse po përpiqet ta destabilizojë vendin. Pse grupe kriminale nga vendet fqinje hyjnë në Maqedoni, kush i organizon dhe për çfarë qëllimi, shtroi pyetjen shefi i opozitës, duke thënë se viktima të këtyre zhvillimeve janë qytetarët maqedonas dhe shqiptarë, policë dhe banorë civilë. Ai bëri thirrje që banorëve t’u garantohet siguria.

Ndërkohë ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Shkup e cila përmes një deklarate, shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve në aksionet në Kumanovë dhe përreth, dhe u shprehë ngushëllime familjeve të personave të vrarë dhe të plagosur. Ambasada njofton se po e ndjek nga afër situatën dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe drejtuesit politikë, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë mbledhjen e fakteve.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup njofton se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet dhe me drejtuesit politik.

Bashkimi Evropian bëri thirrje për qetësi, ndërsa shpreson në shmangien e acarimit të tensioneve në këtë vend. Edhe OSBE-së ka lëshuar një reagim të ngjashëm.

Kjo gjendje e acaruar padyshim është rrjedhojë e krizës politike në Maqedoni, të shkaktuar nga skandali i madh i përgjimeve. Fshatrat shqiptare të Kumanovës ishin skenë e përleshjeve të armatosura në vitin 2001 midis kryengritësve shqiptarë, të cilët luftonin për të drejta më të mëdha dhe forcave qeveritare ushtarake-policore maqedonase, një konflikt që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit në gusht të atij viti. za

KUMANOVË – JANË DJEGUR DY SHKOLLA, PËRPLASJA VAZHDON

VOAL – Përleshjet e armatosura mes policisë dhe një grupi të armatosur në Kumanovë po vazhdon, ndërsa banorët e lagjeve të prekura nga ky aksion janë duke u evakuuar.Në të njëjtën kohë është duke u mbajtur edhe një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal atje.Al Jazeera raporton se rruga drejt këtyre dy lagjeve është e bllokuar, janë djegur dy shkolla, ndërsa, siç kanë raportuar mediat në Maqedoni, banorët, me ndihmën e policisë, janë duke u evakuuar dhe se kryesisht po shkojnë tek të afërmit e tyre, transmeton Koha.net.

Banorët janë duke u larguar më këmbë ndërsa ka edhe të atillë që po i transporton njësia speciale policore dhe se në përgjithësi, gjithnjë sipas mediave në Maqedoni, janë familje me fëmijë e të moshuar.

Ndërkaq, nga këto anë, siç raportohet, ende dëgjohen të shtëna rafali.

Nga distanca mund të shihet tym i zi ndërsa atje nuk po lejohet të shkojë askush përveç zjarrfikësve dhe ndihmës së shpejtë.

RADIO EVROPA E LIRË – QENDRIMI I SHBA E BE – PËRPLASJE TË ARMATOSURA NË KUMANOVË (Tekst dhe fotogaleri)


Të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme janë regjistruar rreth orës pesë të mëngjesit në Kumanovë të Maqedonisë, të cilat janë duke vazhduar ende.Përleshjet kanë ndodhur ndërmjet forcave policore dhe një grupi të armatosur që ishte strehuar në disa shtëpi në “Lagjen e Trimave”, të banuar me popullatë shqiptare.

Sipas të dhënave të para, ka të plagosur, por ende nuk ka të dhëna zyrtare për viktima, ndërsa është vërejtur edhe tym nga disa shtëpi.

Mbi këtë zonë në vazhdimësi kanë fluturuar helikopterë të policisë dhe një aeroplan pa pilot.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, në konferencën e parë për shtyp ka njoftuar se aksioni policor në Kumanovë është ndërmarrë për të zhbërë një grup më të madh terroristësh, të cilët kanë pasur në plan të sulmojnë institucionet e shtetit.

“Sipas informacioneve operative, të cilat i ka pasur MPB-ja, një grup i armatosur ka pasur për qëllim që të organizojë sulme të armatosura ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore. Informacionet, të cilat i kemi siguruar më parë, tregojnë se grupi ka hyrë në Maqedoni nga një shtet fqinj dhe nëpërmjet mbështetësve të tyre është strehuar dhe është përgatitur që të veprojë për sulmet e tyre terroriste”.

“Policia ka arritur të gjejë lokacionin e tyre, se ata fshihen në disa shtëpi te ‘Lagjja e Trimave’. Sipas të dhënave, bëhej fjalë për një grup që është i armatosur mirë dhe i trajnuar për luftë në kushte të tilla”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Ivo Kotevski, duke dhënë dhe një kronologji të zhvillimeve të mëngjesit të së shtunës në Kumanovë.

“Në aksionin e sotëm, nga ora 5 e mëngjesit, policia ka filluar operacionin, ndërsa ka hasur në rezistencë të ashpër ku është shtënë me armë kallashnikov, armë më të rënda, snajperë dhe bomba. Bëhet fjalë për një vend me rrugë të ngushta dhe policia duhet të bëjë kontrolle nëpër të gjitha shtëpitë me qëllim që ta shkatërrojë deri në fund këtë grup”, ka deklaruar Kotevski.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur, ndërkohë që nuk ka dhënë detaje për numrin e të plagosurve apo viktimave eventuale.

Kotevski ka thënëse gjendja ndryshon nga momenti në moment dhe përderisa vazhdon operacioni policor, nuk mund të japë informacione të këtilla.

Por, banorët lokalë thonë se gjendja në “Lagjen e Trimave” ku po zhvillohet aksioni, është shumë e rëndë .

“Kam një porosi për Ali Ahmetin dhe Nikolla Gruevskin, për çka po ndodh kjo situatë, pse trishtohen fëmijët dhe nënat shqiptare?”, ka deklaruar një grua, e cila kishte arritur të dalë nga kjo lagje me të birin e saj të mitur.

Edhe një banor tjetër maqedonas thotë se aksioni policor është përgatitur qysh gjatë mbrëmjes së kaluar:

“Qysh gjatë natës së kaluar ishin të pranishme forca të mëdha policore, të cilat tregonin se diçka do të ndodhë”.

Ndërkaq, deputeti i Zonës, Rexhail Ismaili, ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe që të mos krijohet panik.

“Apelojmë deri te popullata shqiptare e Kumanovës dhe Likovës që të jetë e vëmendshme gjatë kësaj situatë të rëndë, e cila po mbretëron për momentin. Njëherësh luten të mos i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të mos bëhen pre e provokimeve dhe pazareve të ndryshme”, ka thënë Ismaili.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup ka lëshuar një deklaratë për media, duke shprehur keqardhje për, siç ka thënë, humbjen e jetëve nga aksionet e armatosura në Kumanovë.

“Na vjen keq për humbjen e jetëve të njerëzve dhe shprehim ngushëllimet më të thella për familjet e të vrarëve dhe të plagosurve. Ne po monitorojmë situatën dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe liderët politikë. U bëjmë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të lejojnë verifikimin e të dhënave”, thuhet në deklaratën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Në lidhje me përleshjet e së shtunës dhe incidentin në Kumanovë, ka reaguar edhe zyra e Bashkimit Evropian në Shkup.

“Jemi në kontakt me autoritetet dhe me partitë politike. Fuqishëm bëjmë thirrje te të gjithë qytetarët dhe faktorët politikë që të qëndrojnë të qetë dhe të presin që qeveritarët relevant të tregojnë faktet dhe të sqarojnë atë që po ndodh. Shpresojmë që do të shmanget përshkallëzimi i situatës dhe tensioneve”, theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

Nga ana tjetër, partia e tij, BDI, e cila është pjesë e Qeverisë, nëpërmjet një komunikate me shkrim, ka njoftuar se me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e së shtunës në Kumanovë dhe në vazhdimësi u ka bërë thirrje qytetarëve për përmbajtje, rruajtje të gjakftohtësisë dhe që të mos bien pre e provokimeve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim gjykon që zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato të mëhershmet në Goshincë, si dhe shpërthimi para selisë së BDIsë dhe të tjera, janë veprime në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni, ashtu edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Luginë të Preshevës”, theksohet në komunikatën e BDI-së, ku shprehet bindje se “asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon”.

“Ministria e Punëve të Brendshme duhet të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike”, theksohet në komunikatën e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ndërkohë, lideri i partisë maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje Nikolla Gruevskit që menjëherë të dalë para qytetarëve dhe të japë sqarime, kush, pse dhe me çfarë qëllimi po e destabilizon Maqedoninë.

“Pse grupe kriminale nga territoret e vendeve tjera fqinje hyjnë në Maqedoni? Kush i organizon dhe për çfarë qëllimi? Të njëjtën duhet ta bëjë edhe Ali Ahmeti. Viktima janë qytetarët – edhe maqedonasit edhe shqiptarët, edhe policët, edhe popullata civile”, ka theksuar Zaev.

Edhe Partia Demokratike Shqiptare, nëpërmjet një komunikate ka ftuar qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve:

“Partia Demokratike Shqiptare, konform pozicionit momental politik që ka si opozitë, kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme, si dhe institucionet e tjera qeveritare të involvuara në këtë situatë, që me veprimet e tyre në asnjë mënyrë të mos cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve”.

Në rajonin malor të Kumanovës, kohë më parë, kishte ndodhur edhe një incident tjetër, pasi persona të armatosur, të prezantuar si pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), sipas policisë maqedonase, kanë sulmuar një stacion policie në fshatin Goshincë, në kufirin Maqedoni-Kosovë.

Rasti është vlerësuar si akt terrorizmi nga Qeveria e Maqedonisë, por opozita ka thënë se bëhet fjalë për skenarë të përgatitur për të shpërqendruar vëmendjen pas situatës së krijuar nga audio-incizimet e publikuara nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, për të cilat ai thotë se janë bisedime të përgjuara paligjshëm nga ana e Qeverisë.





 

VAZHDON AKSIONI POLICOR NË KUMANOVË – NUK JEPEN TË DHËNA ZYRTARE

VOAL – KUMANOVË – Vazhdon aksioni policor në Kumanovë. Nga të dhëna jo zyrtare ALSAT mëson se numri i të plagosurve është në rritje, 13. Ministria e Punëve të Brendshme, deri në këto momente nuk ofron asnjë informacion zyrtar për ngjarjen në Kumanovë.

Në pyetjet e televizionit ALSAT për informacione mbi atë që po ndodh realisht në Kumanovë, numrin e të plagosurve apo viktimave të mundshme, zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, thjesht u përgjigj se “Aksioni është në vijim e sipër. Në momentin më të parë që do të përfundojë, ne do të dalim me deklaratë zyrtare.” Për momentin, ALSAT nuk mundi të arrinte për përgjigje as zëdhënësin e Sektorit për Punë të Brendshme të Kumanovës.

Ndërkaq, në spitalin shtetëror në Shkup, sapo ka mbërritur edhe ministri i shëndetësisë Todorv.

Zhurnal – GRUPE TË ARMATOSURA LËVIZIN NË MALËSITË E KARADAKUT DHE KUMANOVËS

VOAL – Shkup, 8 maj – Grupa të armatosura vazhdojnë të sillen dhe grumbullohen sërish në fshatrat e rrethinës së Kumanovës. Siç mëson ekskluzivisht agjencia e lajmeve “Zhurnal”, grupe të armatosura ekzistojnë dhe po lëvizin në Malësinë e Karadakut të Kumanovës.

Jozyrtarisht këta persona po bëhen gati të kryejnë ndonjë sulm më serioz se sa incidenti që kishte ndodhur ditë më parë në Gushincë.

Policia e Maqedonisë nuk ka konfirmuar e as mohuar një gjë të tillë.

Por a ka nevojë për një konflikt të ri nga shqiptarët?

Të gjithë miqtë ndërkombëtarë të shqiptarëve, duke përfshirë SHBA, BE dhe vendet anëtare të NATO-s, janë kundër një dhune dhe nxitje të ndonjë konflikti nga shqiptarët në Maqedoni.

Porosia e të gjithë diplomatëve të huaj që vizituan Maqedoninë gjatë ditëve të krizës politike ishte se nuk ka nevojë për konflikt të aramatosur dhe se pushteti duhet të bie me mjete demokratike.

“Të gjitha palët duhet të sillen me përgjegjësi, të tentojnë të gjejnë mënyrë që ta zgjidhin krizën. Maqedonia të progresojë drejt anëtarësimit në BE dhe NATO. Fuqimisht besojmë se ka mundësi për integrim të mëtejshëm të Maqedonisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ky duhet të jetë qëllimi primar edhe i opozitës dhe partisë qeveritare dhe Qeverisë”, theksoi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hojt Ji gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Në Maqedoni qëndruan edhe ambasadorë të pesë shteteve më me ndikim që qëndrojnë në qendrën e misionit të OSBE-së në Vjenë, të cilët gjithashtu theksuan se duhet të ruhet paqja dhe stabiliteti i këtij shteti.

Edhe politika zyrtare e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si dy shtete të shqiptarëve thanë në mënyrë të prerë se një konflikt i ri nuk është në interes të shqiptarëve.

Shqipëria akuzoi dhe i kërkoi llogari Rusisë për veprimet e fundit pas rastit të Gushincës, ndërsa Kosova tha se në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që çfarëdo grupe të prishin imazhin e Kosovës për të cilin shtet u dhanë me qindra mijë jetë të shqiptarëve.

Banorët e fshatrave të Karadakut të Kumanovës thanë se s’ka nevojë askush të vijë e të bëjë luftë në vatrat e tyre, pasi ende nuk i kanë shëruar plagët e luftës së 2001. Ata qartë thanë se çdo kush që tenton për çfarëdo interesi të dëmtojë banorët e kësaj ane nuk do të gjejë përkrahjen e banorëve.

Edhe ish komandantë të UÇK-së qartë thanë se nuk është koha të ketë luftë pasi ajo tani shkon vetëm në dobi të maqedonasve dhe interesave sllave.

Zhurnal – SKENARET VRASËSE MAQEDONASE PLANIFIKOHEN TE ZBATOHEN NË TERRENET SHQIPTARE

VOAL – Shkup, 8 maj – Prezenca e madhe e forcave policore mbrëmë në rajonin e Kumanovës dhe dyshimet për gjoja prezencën e grupeve të armatosura në Malësinë e Karadakut bëhet me skenar të pregaditur që beteja të bëhet edhe një herë në terren shqiptar, vlersojnë analistët për Zhurnal.

Ndryshe, Maqedonia po përballet me një krizë të madhe politike e cila është intensifikuar muajin e fundit me publikimin e bombave të Zaevit që kanë të bëjnë me keqpërdorimet që i ka bërë kryeministri Nikolla Gruevski dhe shefi i policisë sekrete Sasho Mijallkov.

Për të shpëtuar nga kjo pozitë i gjithë pushteti i udhëhequr nga partia maqedonase VMRO-DPMNE po bën skenarë të ndryshëm me qëllim që të defokusojë vëmendjen dhe betejën ta bëjë në terrenin shqiptar.

Incidenti në Goshincë, një fshat malor i banuar me shqiptarë në Karadakun e Kumanovës dhe incidenti i djeshëm në Bashkësinë Fetare Islame (BFI) ishte vetëm një tentativë e strukturave të dyshimta të cilat kishin plan që ta destabilizojnë vendin mirëpo beteja të bëhet në terren shqiptar.

Alarmi i rrejshëm i MPB-së të udhëhequr nga ministrja Gordana Jankullovska se kinse policia e Maqedonisë ka vërejtur një grup prej 50 personash të cilët kanë hyrë nga Kosova në fshatrat e Komunës së Sarajit.

Mirëpo, menhëherë u demantua nga policia kosovare. Edhe ky rast ishte një përpjekje që beteja të bëhet në terren shqiptar. Analistët janë të mendimit se shqiptarët çdo herë kanë paguar çmimin më të lartë duke derdhur edhe gjak.

Sipas tyre, ende janë të freskëta në kujtime ngjarjet e Bit Pazarit, në Gostivar, aksionet e ndryshme policore, dhe në fund konflikti i armatosur në vitin 2001 i cili u bë kryekëput në rajonet shqiptare në Tetovë dhe Karadak të Kumanovës e jo në Strumicë e Gjevgjeli.

Sipas analistëve pushteti në mënyrë maestrale po bën kurthin në vendbanimete shqiptare me qëllim që shqiptarët para bashkësisë ndërkombëtare t’i akuzojë si fajtor kujdestar.

Analisti politik Alajdin Demiri për Zhurnal deklaroi se ka tendencë për destabilizimin e faktorit shqiptar në Maqedoni duke u nisur nga fakti se në Malinë dhe Goshincë filluan persekutimet apo ndjekjet e njerëzve, hedhja e bombës para selisë së BDI-së në Reçicë, agresiviteti i paparë i armatosur në selinë e BFI-së etj.

“Kjo do të thotë se duhet të projektohet dhe kërkohet një përgjigje që të ngritet dhe shqetësohet faktori shqiptar në Maqedoni. Krejt kjo bëhet në vigjilje të ndryshimeve që priten në pjesën maqedonase, protestat që do të organizojë LSDM-ja. Kjo do të thotë se llogaria e tyre është që edhe shqiptarët në një mënyrë të drejtpërdrejtë të inkuadrohen por në sikletin e vetë, përsëri të jenë objekt trajtimi, përsëri të jenë objekt destabilizimi dhe përsëri t’u jepet argument partive maqedonase dhe politikën që udhëheqin ndaj shqiptarëve”, deklaroi për Zhurnal, analisti politik Alajdin Demiri.

Ai potencoi se natyrisht se kësaj politike i ndihmojnë shumë partitë shqiptare duke u pozicionuar fort pas Gruevskit dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët duhet të destabilizohen në këtë situatë.

Që nga dita e shpërthimit të bombave të Zaevit opinioni në Maqedoni asnjëherë nuk regjistroi ndonjë incident në Veles, Prilep, Ohër dhe vende të tjera. Por, të gjitha u realizuan në vendbanimet shqiptare.

Ditë më parë opozita maqedonase ka paralajmëruar se nga 5 -10 maj të gjitha bombat do të prekin shqiptarët e Maqedonisë. Ky paralajmërim sa është i dobishëm është edhe i rrezikshëm, pasi vetë fakti se komuniteti shqiptar në bazë të temperamentit të vrullshëm, gjaknxehtë mund të manipulohet lehtë andaj edhe opozita maqedonase dëshiron që shqiptarët ti bëjë për vete dhe ti orientojë aty ku ajo ka nevojë.

Rasti i dhimbshëm ‘Monstra’ dhe rastet të tjera duhet të shqyrtohen në mënyrë të hollësishme por jo në këtë kohë, në këto çaste kur edhe opozita maqedonase tenton që të manipulon me shqiptarët dhe gjithë problem do të hudhet në terren shqiptar.

Sipas kësaj Gruevski përsëri do të shpëtonte, pasi beteja dhe fokusi do të ishte te shqiptarët, të cilët dinë vetëm të hapin problem por assesi të trajtojnë dhe të mbyllin me sukses, ku historikisht përvoja tregon se shqiptarët çdo herë kanë qenë të manipuluar.

EDHE SOT MIJËRA PROTESTUES KËRKOJNË DORËHEQJEN E GRUEVSKIT

Mijëra protestues sot, për të tretën herë me radhë, janë mbledhur në Shkup, për të protestuar kundër regjimit diktatorial të kryeministrit, Nikolla Gruevski, siç janë shprehur ata.

Meqë, policia nuk ka lejuar që protestuesit t’i afrohen ndërtesës së qeverisë, ata janë nisurdrejt ndërtesës së prokurorisë, e pastaj janë ndalur para Kuvendit të Maqedonisë.

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski, dhe e kanë mbështetur kërkesën e sotme të liderit opozitar, Zoran Zaev, për hetime të reja për rastin e vdekjes së gazetarit, Nikolla Mlladenov.

Raportohet se protesta po kalon e qetë. rel

MAQEDONI – OPOZITA PUBLIKON REGJISTRIME TË TJERA

Opozita maqedonase publikoi të enjten, biseda të përgjuara telefonike, ku thotë se dëgjohet Ministrja e Rendit, Gordana Jankullovska duke folur me bashkëpunëtorë të saj dhe me zyrtarë qeveritarë mbi vdekjen e një gazetari të njohur, para dy vjetësh, një rast që vazhdon të shikohet me mosbesim nga një pjesë e opinionit publik, për shkak të rrethanave të pasqaruara të aksidentit ku humbi jetën Nikolla Mlladenov.

Personat në audio-regjistrime dëgjohen, mes tjerash, duke u tallur me rastin dhe me gazetarët e tjerë të cilët shfaqnin interesim për këtë.

Ajo që duket më misterioze në këtë rast është çështja e telefonit celular të gazetarit; autoritetet në fillim patën njoftuar se me anë të lokalizimit të telefonit ishte gjetur trupi i gazetarit Mlladenov, por asnjëherë nuk e përmendën më telefonin që të dihej me kë, eventualisht, kishte komunikuar ai.

Nikolla Mlladenov njihej për qëndrimet e tij kritike, jo vetëm ndaj pushtetit aktual, ndërsa shquhej edhe si veprimtar për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës, Zoran Zaev tha në një konferencë shtypi se dëshmitë tregojnë që procedura është zhvilluar qëllimisht, ose rastësisht, në mënyrë joprofesionale dhe të papërgjegjshme. Ai tha se me ndërrimin e pushtetit do të rihapet çështja “Mlladenov” në një proces të drejtë dhe transparent gjyqësor.

Nikolla Mlladenov kthehej me makinë nga qyteti i Velesit për në Shkup. Trupi i tij u gjet të nesërmen, pas aksidentit, vetëm pasi bashkëshortja e tij kishte njoftuar policinë. za

 

PËRSHKALLËZIM I MËTEJSHËM I SITUATËS SË SIGURISË NË MAQEDONI

VOAL – SHKUP – Kriza politike në Maqedoni, ka kaluar në krizë të sigurisë me tendencë të përkeqësimit me pasoja të paparashikueshme për vendin, thonë njohësit e çëshjeve politike dhe të sigurisë, duke komentuar protestat e dhunshme para Qeverisë dhe Kuvendit të Maqedonisë.

Protestat u përshkallëzuan pas konferencës së fundit për media të liderit të opozitës, Zoran Zaev, i cili publikoi audio-incizime të reja nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve, e që kishte të bëj me vrasjen e një të riu në një miting të partisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski, por që ishte fshehur nga qeveria për shkak të përfshirjes në këtë krim të pjestarëve të sigurimit të kreut të qeverisë maqedonase.

“Në Maqedoni po ndodhë diçka shumë serioze në planin e sigurisë. Protestat e ditëve të fundit dhe ato që paralajmërohen në të ardhmen, janë dëshmi se vendin e pret një krizë serioze në planin e sigurisë nëse nuk ndërmerren masa urgjente për kapërcimin e mosmarrëveshjeve”.

“Se a do të ketë zgjidhje politike të krizës, është shumë vështirë të pritet duke marrë parasysh faktin se qëndrimet mes palëve janë aq të kundërta, sa që vështirë është të pritet ndonjë epilog. Pra, vendi ndodhet në krizë jo vetëm politike, por edhe institucionale dhe të sigurisë“, thotë Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë dhe epror i lartë i Armatës së Maqedonisë, në konfliktin e vitit 2001.

Naser Zyberi, njohës i çështjeve politike thotë se Maqedonia thashmë nga kriza politike ka hyrë në krizë të sigurisë.

Protestat, sipas tij, nuk do të ndalen nëse merren parasysh paralajmërimet e opozitës së në ditët në vijim do të publikojnë dëshmi edhe për rastet më sensitive, siç është rasti “Monstra“, ai i vdekjes misterioze të gazetarit, Nikolla Mlladenov, për çështjen e emrit, e të tjera, të cilat sipas Lidhjes Social-Demokrate, “nxjerrin në dritë fakte të tmerrshme për përfshrjen e zyrtatëve në veprime kriminale dhe inskenime të rasteve për qëllime politike“.

“Atmosfera skajshmërisht është e tensionuar, ajo tanimë ka eskaluar në protesta, të cilat shpesh herë janë edhe të dhunshme nga ana e policisë e cila me çdo kusht tenton ngulfatjen e tyre, apo të protesutesve që dëshirojnë të shprehin revoltën e tyre”.

“Intensiteti i protestave mendoj se do të vjen duke u rritur e jo duke u zvogëluar pasi opozita paraljmëron se do të publikojë përgjimet më sensitive, siç është rasti i gazetarit Mlladenov, rasti i Smillkovskit por ndoshta edhe ndonjë rast tjetër“, thotë Zyberi.

Bllagoja Markovski, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë se zgjidhja e krizës mund të shihet në dorëheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimatare, e cila do të përgadiste terrenin për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Zgjidhjen e vetme të krizës e shoh në gjetjen e mundësinë për dorëheqjen e qeverisë aktuale dhe formimin e një qeverie teknike e cila do të organonte zgjedhje të lira dhe demokratike, alternativë tjetër nuk ka“, thotë Markovski.

Edhe Naser Zyberi mendon njejtë, por ai thotë se kjo nuk do të mund të arrihet pa një presion shumë të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kjo garniturë politike nuk do të dorëzohet vetvetiu, pra nuk do të bindet me faktin se duhet të jep llogari për gjithë këto ngjarje. Në një situatë të tillë mendoj se faktori ndërkombëtar do të bëj presione të fuqishme që të ndërpriten të gjitha manifestimet e pakënaqësisë dhe të arrihet një marrëveshje politike për formimin e një qeverie kalimtare, apo të tranzicionit“,thotë Zyberi.

Dorëheqjen e qeverisë e kërkon edhe opozita dhe protestuesit, por nga qeveria kanë hedhur poshtë kërkesat e tilla duke drejtuar akuzat ndaj opozitës për skenar për destabilizimin e vendit dhe se përgjimet janë të montuar me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete.

Ndryshe, në protestat e dy ditëve të fundit para Qeverisë dhe Kuvendit janë plagosur dhjetëra qytetar dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë. rel

QEVERIA SHPËRNDAU ME DHUNË PROTESTËN E OPOZITËS NË SHKUP – për herë të parë valëvitja së bashku e flamurit shtetëror maqedonas e atij shqiptar

Policia maqedonase përdori gazin lotsjellës dhe “topat e ujit” për të shpërndarë rreth dy mijë protestues në Shkup që po kërkonin dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski.

Ministria e Brendshme tha se të paktën dhjetë pjesëtarë të policisë janë lënduar gjatë përplasjeve me protestuesit që ndezën zjarre dhe hodhën gurë dhe vezë mbi ndërtesën e qeverisë në Shkup. Tash për tash nuk ka të dhëna për numrin e protestuesve të lënduar dhe të arrestuar.

Protestat shpërthyen të martën në mbrëmje para selisë së qeverisë, pas publikimit nga opozita të bisedave të përgjuara të zyrtarëve qeveritarë lidhur me vrasjen e një të riu maqedonas, para katër vjetësh.

Të martën opozita e drejtuar nga Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara të Ministres së Brendshme Gordana Jankullovska me drejtorin e Shërbimit Sekret, me shefin e kabinetit të kryeministrit si dhe me vetë kryeministrin Nikolla Gruevski, për mbulimin e gjurmëve të vrasjes së të riut Martin Neshkovski nga një ish-truprojë e kryeministrit, gjatë një tubimi të partisë VMRO-DPMNE në Shkup.

Rasti në atë kohë pat nxitur mjaft protesta, ndërkohë që autoritetet dhe mjetet e informimit të afërta me pushtetin nuk raportonin ose njoftonin fare pak mbi mënyrën se si kishte humbur jetën 21 vjeçari maqedonas.

Pretendimet e udhëheqësit të opozitës janë kundërshtuar nga partia e kryeministrit, Nikolla Gruevski, VMRO DPMNE, e cila sërish e akuzoi zotin Zaev për destabilizim të vendit.

Në protestën e së martës mbrëma morën pjesë pjesëtarë të të gjitha komuniteteve, ndërsa veçohet për herë të parë valëvitja së bashku e flamurit shtetëror maqedonas dhe atij shqiptar.

SULEJMAN REXHEPI DËNON INCIDENTET NË BASHKËSINË ISLAME TË MAQEDONISË

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, dënoi incidentet e së hënës në këtë bashkësi. Pas një mbledhjeje urgjente me Këshillin e Myftive dhe zyrtarëve më të lartë të Bashkësisë Fetare Islame që njihet si Rijaset, zoti Rexhepi tha se shpreson që “puçistët të përgjigjen para drejtësisë”.Ai tha se janë katër persona të korruptuar në mesin e “uzurpuesve të Bashkësisë Islame”, pa i bërë përmendur emrat e të gjithëve, ndërsa hodhi dyshimet se ata janë të nxitur nga struktura shtetërore maqedonase me qëllim të përçarjes së komunitetit mysliman.Zoti Rexhepi reagoi edhe ndaj mosndërhyrjes së policisë maqedonase kundër personave që hynë me dhunë në ndërtesën e Bashkësisë Islame, ndërsa u bëri thirrje besimtarëve që të mos bien pre e provokimeve.

Të hënën, ish-myftiu i Shkupit Ibrahim Shabani, ish-sekretari i Bashkësisë Fetare Islame, Afrim Tahiri, të shoqëruar nga dhjetëra persona, ishin futur me dhunë brenda institucionit dhe kishin marrë vulën, ndërkohë që shpallën kontrollin mbi këtë bashkësi.

Incidenti është rezultat i një përplasjeje të pak ditëve më parë midis kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi dhe myftiut të Shkupit Ibrahim Shabani, pas shkarkimit nga detyra të këtij të fundit. za

AMBASADORI MAQEDONAS LA BARSË DIPLOMATEN SHQIPTARE

Një lidhje jashtëmartesore mes ambasadorit maqedonas dhe diplomates shqiptare, pritet të sjellë së shpejti në jetë një fëmijë.

Lidhja e dashurisë mes dy “kolegëve” nuk ka asgjë të keqe, por ambasadori rezulton se është i martuar, ndërkohë që gruaja e tij gjithashtu është në pushtet.

Sipas gruaja e tij gjithashtu është në pushtet ambasadori maqedonas është një person i afërt me Nikolla Gruevskin.

Skandali është “zgjidhur” në atë mënyrë që dyshja e dashuruar është e ndarë në dy qytetet të ndryshme, edhe pse vazhdojnë të punojnë në shtetin e njëjtë europian.

Ndërkohë, portali maqedonas domkaz.mk ka publikuar një fotografi të një djali dhe një vajze dhe shtron pyetjen nëse ata janë ambasadori dhe diplomatja shqiptare të përfshirë në këtë histori.

“Sasho dhe Blerta janë dyshja e përfshirë në skandalin e lartpërmendur, duke u bazuar në burimet brenda MPJ”, njofton dokazi.mk.

RADIO EVROPA E LIRË – INCIDENTE NË BASHKËSINË ISLAME NË MAQEDONI

Dhjetra persona kanë hyrë me dhunë në Qendrën e Bashkësisë Islame në Shkup të hënën.

Bëhet e ditur se ish-sekretari i Bashkësisë Fetare Islame, Afrim Tahiri është vetëshpallur kryetar i kësaj Bashkësie.

Polica maqedonase e ka siguruar objektin për të penguar dhunën eventuale fizike midis grupeve të konfliktuara të besimtarëve.

Incidenti është rezultat i një përplasjeje të pak ditëve më parë midis kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi dhe myftiut të Shkupit Ibrahim Shabani, pas shkarkimit nga detyra të këtij të fundit.

Ndërkohë, një tjetër incident ka ndodhur të dielën para mesnate në Tetovë. Një sasi lënde eksplozive ka shpërthyer në afërsi të selisë së partisë Bashkimi Demokratik për Integrim.

Organet e hetimit kanë dalë në terren për të analizuar ndodhinë, ndërkohë që nuk ka pasoja në njerëz, e as nuk dihen motivet e shpërthimit.


Send this to a friend