VOAL

VOAL

ALBIN KURTI KËRKON SËRISH DEBAT PËR KUMANOVËN

VOAL – PRISHTINË – Mosdiskutimi në Kuvendin e Kosovës për ngjarjet në Kumanovë sipas Albin Kurtit dëshmon për atë se deputetët e kuvendit të Kosovës si përfaqësues të popullit nuk i përfaqësojnë as sa për sy e faqe ata.

Sipas Kurtit ngjarjet e fundit në Maqedoni kanë për qëllim pakësimin e popullsisë shqiptare atje, që aktualisht kalon edhe çerekun e popullsisë së përgjithshme në Kumanovë.

Kurti thotë se ngjarjet e fundit i kanë konvenuar më së shumti Gruevksit dhe Vuçiqit.

Ai kritikoi të gjithë krerët e institucioneve për deklaratat e tyre që sipas Kurtit, asnjëri nga ta nuk e dënoi aktin në Kumanovë, por folën vetëm për vete.

“Të gjitha deklarata e krerëve institucional të Kosovës ishin deklarata që mendojnë vetëm për vete e jo për qytetarët e Kumanovës. Asnjëri nga ta nuk e dënuan këtë akt. Ambasador të ndryshëm perëndimor e tejkaluan edhe çdo fjalor por këtë nuk e bënë politikanët tanë. Unë jam i bindur që shumica e deputetëve të Kosovës nuk e mendojnë këtë si shefat e tyre, por është edhe arsyeja pse nuk u lejua ky debat”, tha Kurti.kp

JEP ALARMIN VËLLAI I KOMANDANT MALISHEVËS – TË ARRESTUARIT PO TORTUROHEN PËR VDEKJE

VOAL – PRISHTINË – Vëllai i Muhamet Krasniqit, alias “Komandant Malisheva”, njërit nga të arrestuarit në Maqedoni pas konfliktit në Kumanovë, ka alarmuar sot për gjendjen e të arrestuarve nga policia maqedonase.

Alban Krasniqi në profilin e tij në facebook ka shkruar se gjendja e të burgosurve është e rëndë dhe ata janë në rrezik për jetë.

“Urgjente: Gjendja e të burgosurve është shumë e rëndë dhe rrezik për jetë. Ata i janë nënshtruar torturave çnjerëzore nga policia maqedonase, derisa kanë plagë të rënda duke mos u ofruar kurrfarë mjekimi. Ndërhyrja në ofrimin e ndihmës mjekësore është jetike”, shkruan Alban Krasniqi. kp

FAMILJARËT SOT VIZITOJNË 23 KOSOVARËT E ARRESTUAR NË RASTIN E KUMANOVËS

 

VOAL – PRISHITNË – Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi informoi se sot u mundësohet familjeve nga Kosova që të vizitojnë në Burgun e Shutkës të afërmit e tyre, që u arrestuan në aksionin e javës së kaluar në Kumanovë.

Bëhet fjalë për 23 shtetas të Kosovës, që ishin pjesë e grupit të armatosur dhe që u prangosën nga policia në ditën e përleshjeve, pas një dorëzimi të tyre.

“Është paralajmëruar që të premten familjet do të lejohen t’i vizitojnë personat e arrestuar. Ajo ju takon autoriteteve maqedonase që t’jua mundësojnë të arrestuarve edhe të kontaktohen nga ambasada por edhe të vizitohen nga familjet”, tha më tej Arifaj.

Ai tha se ende nuk kanë marrë asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet e Maqedonisë për shtetas të Kosovës të vrarë apo të plagosur gjatë konfliktit të armatosur në Kumanovë.“Zyrtarisht nuk kemi asnjë konfirmim për viktima nga Kosova në Kumanovë”, deklaroi Arifaj.

KONFIRMOHET – KOSOVA KISHTE DIJENI PËR INCIDENTET NË MAQEDONI

VOAL – Tre muaj para se të zhvillohej konflikti i armatosur në Kumanovë mes njësiteve ushtarake e policore maqedonase dhe një grupi luftarësh shqiptarë, të gjithë mekanzimat përgjegjës në Kosovë, dalin të kenë qenë në dijeni se diçka po përgatitej të ndodhte në shtetin fqinj.

Tribuna Channel ka marrë konfirmim zyrtar se Agjencia Kosovare e Inteligjencës qysh në muajin shkurt e kishte njoftuar presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ministrin i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, si dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, se shërbimi sekret maqedonas i kishte kontaktuar disa qytetarë të Kosovës më qëllim të inskenimit të sulmeve në Maqedoni.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i Komisionit Parlamentar për mbikëqyrje i AKI-së, Haxhi Shala, gjë që del se edhe mbikqyrësit parlamentar kanë qenë të informuar për zhvillimet në fshehtësi.

Shala ka thënë se AKI e ka bërë raportin të cilin e kanë cituar mediet dhe për këtë komisioni ka qenë i informuar. Raporti më shkrim, sipas tij, nuk i është dorëzuar komisionit, por deputetët janë informuar gojarisht nga zyrtarë të AKI-së se kjo e fundit ka njoftuar krerët më të lartë të shtetit për mundësinë e destabilizimit të gjendjes në Maqedoni.

Se çka thotë Haxhi Shala për informatat nga AKI, e çfarë përgjigjesh japin zyrtarët e institucioneve mund ta mësoni në kronikën televizive. /Tribuna Channel/

INFORMATORËT SERBË – MIJALLKOV E ORGANIZOI KONFLIKTIN NË KUMANOVË


 

VOAL – Sasho Mijallkov, shefi i shërbimit maqedonas të kundërzbulimit, i cili të martën dha dorëheqje nga ky post, sipas dyshimeve të shërbimeve serbe të sigurisë, ka pasur rol aktiv në organizimin e “sulmit terrorist” në Kumanovë.

Njeri që shpesh vizitonte Beogradin, ku për dy ditë i linte deri në 5,000 euro me një mikeshë të tij të afërt.

Mijallkov tash e një dekadë konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në Maqedoni, i cili mban lidhje me politikanët dhe kriminelët më me ndikim nga Shqipëria dhe rajoni.

Qëllim i sulmit ishte shkaktimi i incidentit ndëretnik, i cili do ta mbronte qeverinë e Gruevskit nga sulmet e opozitës maqedonase, e cila për 17 maj bënte përgatitje të organizojë mitingun e rrëzimit të pushtetit.

Por, gjërat dolën nga kontrolli dhe “incidenti ndëretnik” i planifikuar u shndërrua në “sulm terrorist”, tha për gazetën serbe Blic një burim i mirinformuar nga shërbimet sekrete serbe, transmeton lajmi.net.

Sipas këtyre dyshimeve, Mijallkov vihet në lidhje direkte me organizatorin e sulmit, Mirsad Ndrecaj, i quajtur Komandanti NATO.

Mijallkov ka rrejt të zhvilluar biznesi në Çeki dhe Sllovaki, thotë ky burim.

“Ka biznes të zhvilluar në Sllovaki dhe Çeki. Po ashtu, është nën vëzhgim nga ana e shërbimeve sekrete të huaja, të cilat me të madhe po përgatiten ta dëshmojnë kapitalin e tij të përfituar në mënyrë të dyshimtë”, tha ky burim.

“Ai është mysafir i shpeshtë edhe në Beograd, ku ka një mikeshë të afërt, për të cilën për dy ditë shpenzon deri në 5,000 euro”.

“Fal lidhjeve, Mijallkov në Serbi hyn pa regjistrim në kalimin kufitar”.

MAQEDONIA – NUK ISHTE PËRLESHJE NDËRETNIKE, POR OPERACION KUNDËR GRUPIT TERRORIST

​Në letrën informuese që ua ka dërguar shteteve të Bashkimit Evropian, Qeveria e Republikës së Maqedonisë i ka njoftuar ato për rrjedhën e aksionit të armatosur të së shtunës në Kumanovë.

VOAL – PRISHTINË – Në non paperin, që e ka siguruar “Koha Ditore”, shteti maqedonas thotë se operacioni nuk ishte përleshje ndëretnike, por ishte i drejtuar kundër një grupi terrorist me ambicie politike, që synim përfundimtar kishte të rrezikonte rendin dhe sigurinë në Republikën e Maqedonisë.

Liderët kryesorë të këtij grupi, sipas Qeverisë maqedonase, janë: Muhamed Krasniqi, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Malisheva”; Mirsad Nrecaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant NATO”; Sami Ukshini, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Sokoli”; Beg Rizaj, shtetas i Kosovës, i njohur si “Komandant Begu” dhe Demë Shehu, shtetas i Kosovës, i njohur si “Juniku”. Liderët, sipas letrës, figurojnë si themelues të strukturave paramilitare dhe kanë pasur tentativa të pasuksesshme për të siguruar mbështetje politike.

MILAIM ZEKA – NË KUMANOVË VETËM TRE SHQIPTARË TË VRARË, 7 TË MASAKRUARIT JANË EMIGRANTË NGA LINDJA E MESME

VOAL – PRISHTINË – Gazetari Milaim Zeka, i cili posa është kthyer nga Kumanova, ka treguar për Telegrafin se autoritetet maqedonase kanë spekuluar rëndë lidhur me numrin e të vrarëve, kurse kanë ushtruar dhunë të rëndë mbi të burgosurit dhe civilët.

Zeka thotë se nuk është e vërtetë që janë vrarë 14 luftëtarë shqiptarë nga grupi i armatosur, por janë vrarë gjithsej tre, kurse shtatë të tjerë janë emigrantë nga Lindja e Mesme, të cilët autoritetet maqedonase i kanë vrarë dhe gjymtuar për të pamundësuar identifikimin e tyre.

“Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska tha që janë 14 të vrarë, por sipas burimeve të sigurta në Kumanovë bëhet fjalë vetëm për tre shqiptarë të vrarë nga grupi i armatosur, kurse shtatë të tjerë janë refugjatë nga vendet e lindjes, mbase Sirisë që janë marrë dhe janë dërguar në Lagjen e Trimave, ku janë ekzekutuar e masakruar, sa që është e pamundur të identifikohen”, tha Zeka.

Ai ka konfirmuar se në luftime janë vrarë vetëm tre shqiptarë, Mirsad Ndreca, Beg Rizaj dhe Xhafer Zymberi.

Zeka më tej ka rrëfyer për torturat që u janë bërë të burgosurve.

“I burgosuri Beg Bajra është tepër i torturuar sikurse edhe të tjerët. Nga lëndimet që u janë shkaktuar në fytyrë ka qenë e pamundur të bëhet edhe identifikimi i identiteti i tyre në gjykatë…”, tha Zeka.

Ai tha Prokuroria maqedone u ka ofruar të burgosurve të nënshkruajnë deklarata që të pranojnë fajësinë për terrorizëm, me çka do të dënoheshin deri në 15 vjet burgim, në të kundërtën, u është thënë se ndaj tyre mund të ngritet padi edhe më e rëndë me çka rrezikojnë dënim të përjetshëm.

Gazetari Zeka thotë se policia maqedonase ka maltretuar edhe popullatën civile.

“Janë maltretuar edhe civilë të verbër, duke i detyruar të qëndrojnë me orë të tëra në këmbë duke i kërcënuar se do tu hedhin nitroglicerinë në sy. Një të riu, që ishte i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit në Lagjen e Trimave, nuk i ishte ofruar ndihma duke i thënë se plagën e kishte të vjetër”, tha Zeka, duke rrëfyer tmerret e pamjeve që kishte hasur në Lagjen e Trimave, pas tërheqjes së policisë maqedonase.kp

RRËFEHET ALI AHMETI: AI I KA NJOHUR TË GJITHË DJEMTË E GRUPIT TË ARMATOSUR NË KONFLIKTIN E KUMANOVËS:

Kreu i BDI-së, ka folur për herë të parë pas konfliktit në Kumanovë. Ai në një intervistë dhënë për Televizionin Alsat të Maqedonisë, ka thënë se i ka njohur të gjithë djemtë e grupit të armatosur.

Ahmeti po ashtu ka deklaruar se nuk arrin ta kuptojë se si këta njerëz kanë rrezikuar një lagje të tërë e mbi të gjitha edhe vetën.

“Samiun e kam njohur më 2001 dhe në atë vit pas përfundimit të luftës nuk e di a e kam takuar edhe një herë. Është një djalë i qetë jo euforik. Edhe të tjerët që i përmendët i kam njohur, përveç Dem Shehut. Kanë lëvizur, kanë ardhur dhe kanë vizituar selinë e BDI-së. Nuk e mohon askush se kanë qenë shokët tanë dhe askush nuk e mohon veprimtarinë e tyre. Nuk mund ta kuptoj se si mundën këta njerëz ta bëjnë këtë. Si mund që këta njerëz të hyjnë dhe të rrezikojnë një lagje të tillë dhe të sakrifikojnë jetën e tyre, cili ishte ideali”, ka thënë Ahmeti në intervistën dhënë Televizinot Alsat në Maqedoni.

Ai më pas edhe tregoi të gjithë ngjarjen se si e ka kuptuar se ndodhi konflikti në Kumanovë.

Ahmeti ka treguar se këtë e ka kuptuar përmes një telefonate.

Ai po ashtu ka treguar se si ka negociuar dorëzimin e Grupit të Armatosur.

Tha se qysh në orën 10:20 të ditës kritike kishte marrë telefonatë ku i ishte kërkuar ndihma për largimin e grupit nga vendi i ngjarjes.

“Në komunikime e sipër, në ora 10:20 më vjen një sms dhe më thotë që jam në vendin e ngjajres. E hapi telefonin dhe mu drejtu: kryetar jam në vend të ngjarjes dhe ndihmona, unë mendova që është dikush jashtë përleshjes. Ai më tha: Të lutëm ndihmona . Mua mu dridhë trupi. O të lutem ndihmona se unë jam brenda në luftime. Edhe tash po më dridhet trupi. Tërë trupi mu është dridhur. Ku je? Këtu në luftime. Çfarë të ju ndihmoj? Ai më pastaj më tha: Kemi gabu, o Ali Ahmeti çu në këmbë dhe hapna rrugën. As nuk e pyeta as nuk u prezantua kush është. Po fliste qetë . Pas një ore përsëri i ra telefoni. I thirra të gjithë njerëzit që i kam që të vijnë në seli dhe të paraqesim një opsion. Unë i thash që nuk mund ti përgjigjem kërkesës suaj që të hapë korridor se mund të ju vret dikush se ju vret në besë time”, ka treguar Ahmeti.

Ai ka thënë se i ka njohur disa nga djemtë e grupit të armatosur në Kumanovë.

Ahmeti po ashtu ka deklaruar se nuk arrin ta kuptoj se si këta njerëz kanë rrezikuar një lagje të tërë e mbi të gjitha edhe vetën.

“Samiun e kam njohur më 2001 dhe në atë vit pas përfundimit të luftës nuk e di a e kam takuar edhe një herë. Është një djalë i qetë jo euforik. Edhe të tjerët që i përmendët i kam njohur, përveç Dem Shehut. Kanë lëvizë kanë ardhur dhe kanë vizituar selinë e BDI-së. Nuk e mohon askush se kanë qenë shokët tanë dhe askush nuk e mohon veprimtarinë e tyre. Nuk mund ta kuptoj se si mundën këta njerëz ta bëjnë këtë. Si mund që këta njerëz të hyjnë dhe të rrezikojnë një lagje të tillë dhe të sakrifikojnë jetën e tyre, cili ishte ideali” ka thënë Ahmeti.

Ai hedh dyshime për të arratisurin Sulejman Osmanin i cili ka ikur nga duart e policisë maqedonase një ditë pasi së bashku me një grup personash të armatosur në Kumanovë ishin dorëzuar organeve të policisë.

Ahmeti tha se nuk e njeh Sulejman Osmanin por ka dëgjuar se ai ka qenë i arrestuar në vitin 2001 nga Ushtria Çlirimtare Kombëtare.

Ahmeti tha se ai person tash gjendet në Kosovë, ndërsa pranon se disa nga familjarët e të arrestuarve nga Kosova e kanë thirrur për të marrë më shumë informata për ngjarjet në Kumanovë.

Ahmeti, ka thënë se ndarja e Maqedonisë nuk është në interes të shqiptarëve të Maqedonisë.

Ai tutje në intervistën dhënë për Televizionin AlsatM, ka thënë se interesi i gjithë shqiptarëve është që të zbatohet në përpikmëri marrëveshja e Ohrit.

“Nuk është në interes të shqiptarëve as ndarja e Maqedonisë, sepse nuk ke si e ndan. Interes i shqiptarëve është të zbatohet në tërësi marrëveshja e Ohrit, në germë dhe në frymë”, ka deklaruar Ahmeti.

Në pyetjen pse nuk e ka vizituar Lagjen e Trimave siç ka bërë lideri i opozitës Zoran Zaev, Ali Ahmeti ka thënë se ai e ka kryer punën e tij me aq sa ka pasur mundësi.

Siç tha ai “unë kam bërë shumë për atë lagje, unë e ndjej veten mirë që asnjë civil nuk është vrarë në këto përleshje”, tha Ahmeti.

Ai pranoi se nuk ka dashur të dalë në publik tek banorët sepse nuk ka dashur as të fyhet e as të puthet nga dikush.

Ahmeti premtoi se do të angazhohet për t’iu ndihmuar banorëve të kësaj lagjeje që kanë pësuar nga këto ngjarje.

TELEVIZIONI ZVICERAN SRF PËR MAQEDONINË: TRI DORËHEQJE DHE NJË DYSHIM I TMERRSHËM

Pas përleshjeve vdekjeprurëse mes policëve dhe gjoja terroristëve shqiptarë kanë dhënë dorëheqje dy ministra dhe shefi i shërbimit sekret. Ndërkohë po shtohen indikacionet se qeveria mund t’i ketë inskenuar luftimet – opozita po bën thirrje për protesta masive.Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se ministrja e brendshme Gordana Jankulovska, ministri i transportit Mile Janakieski dhe shefi i shërbimit sekret Sasho Mijalkov kanë dhënë dorëheqje pas luftimeve të ashpra në Maqedoni. Sipas zëdhënësit, kryeministri Gruevski i ka pranuar dorëheqjet. Gjatë përleshjeve në qytetin e Kumanovës në fundjavë u vranë 22 njerëz dhe 37 u plagosën. Ministria e Brendshme u akuzua se kishte bërë gabime të rënda gjatë aksionit policor kundër shqiptarëve të armatosur.Ndërkohë, sipas televizionit zviceran, po shtohen indikacionet se qeveria qëllimisht ka mundur t’i inskenojë luftimet. Gjenerali i pensionuar maqedonas Ilija Nikolovski përsëriti tezën e tij se të armatosurit nuk kanë qenë terroristë, siç pretendon qeveria, por mercenarë të paguar. Sipas tij është e pamundshme që një arsenal aq i madh armësh të sillet në vend pa u vërejtur. Edhe portali «Libertas» kritikoi se nga ana e qeverisë ka vetëm dezinformata. Autoritetet deri më tani nuk kanë sjellë asnjë dëshmi për pretendimin e tyre se bëhej fjalë për terroristë me përvojë, nënvizoi ky medium. As ministrja e brendshme, as kryeministri dhe as gjeneralët e nivelit të lartë në polici nuk u shfaqën gjatë aksionit në Kumanovë. Po ashtu deri më sot nuk është zhvilluar një hetim zyrtar i luftimeve të ashpra.Opozita maqedonase, e cila tashmë një vit bojkoton parlamentin, ka bërë thirrje për protesta masive të dielën kundër kryeministrit Nikola Gruevski. Konflikti shpërtheu në mes të një krize të rëndë politike në Maqedoni. Qeveria Gruevski po ballafaqohet me akuza të rënda korrupsioni. Opozita e akuzon atë edhe për përgjimin ilegal të 22 mijë njerëzve.Konflikti në Maqedoni hedh një hije mbi raportin e vështirë mes etnive në këtë ish-republikë jugosllave. Në vitin 2001 në Maqedoni ndodhi një kryengritje e shqiptarëve etnikë. Ajo përfundoi me një marrëveshje, e cila u premtonte më shumë të drejta shqiptarëve. Por raporti i shqiptarëve ndaj qeverisë në Shkup mbetet i tensionuar. Një e katërta e 2,1 milionë banorëve të këtij shteti ballkanik janë shqiptarë etnikë.

Luftimet në fundjavë ngjallën shqetësime edhe në arenën ndërkombëtare. BE, NATO, OKB dhe qeveria gjermane bënë thirrje për deeskalim. Maqedonia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 dhe aspiron hyrjen në NATO.

NË KUMANOVË MBIZOTËRON FRIKA, PIKËLLIMI DHE KAOSI

Përleshjet me armë në qytetin verior të Maqedonisë kanë lënë pas një popullsi të traumatizuar. Gjithnjë e më të zëshme po bëhen akuzat se qeveria me këtë aksion synonte të hiqte vëmendjen nga skandalet.

Besar M. dridhet ende nga frika. «Kur i kam dëgjuar të shtënat të shtunën në orën pesë, shikova nga dritarja. Pasi më panë ushtarët nga autoblinda, hapën zjarr», tregon 72-vjeçari. Ai ishte mbështetur për muri. «Zoti më ka ndihmuar», thotë ai, «përndryshe do të kisha mbetur i vdekur». Familja e tij banon në mes të lagjes së Kumanovës ku forcat e sigurisë të shtunën dhe të dielën zhvilluan përleshje me armë. «Nuk jemi terroristë. Përse nuk na kanë evakuuar? Përse nuk e kanë larguar popullsinë civile?», pyet vajza e tij 20-vjeçare. Familja ka frikë të tregojë emrin e vërtetë. Vrimat nga të shtënat në shtëpi dëshmojnë se këtu dikush ka shtënë kundër një familjeje të parrezikshme. Zonja M. thotë: «Ju këtë e keni parë në fotografi, ndërsa ne i kemi imazhet në kokë».

Në Kumanovë askush nuk thotë të ketë parë terroristë apo kriminelë, me të cilët forcat e sigurisë kanë zhvilluar përleshje. Sipas deklaratave të njerëzve në vendin e ngjarjes fjala ishte për policë dhe ushtarakë  me tri lloje uniformash. Askush nuk e di nëse ka pasur viktima civile. Familja M. – katër persona – është fshehur me orë të tëra mes kornizës së derës. Shtëpia fqinje është shndërruar në gërmadhë. Këtu banojnë vëllezërit Ibrahimi, njëri prej tyre ka jetuar në Zvicër njëzet vjet. Shtëpia ishte ndërtuar tek para dy vitesh. Tani çdo kund shihen vrima nga të shtënat prej granatahedhësit. Askush nuk e di se kush ka luftuar këtu. Shumë njerëz besojnë se fjala ishte për njerëz të paguar.

Nga ndërhyrja policore kundër një grupi të kriminelëve në Kumanovë, me ç’rast u vranë tetë policë dhe 37 u plagosën, policia është shtuar në Maqedoni. Aksioni i policisë shihet si përpjekje e qeverisë për të shpëtuar lëkurën e vet duke e shpikur një armik të jashtëm dhe pastaj duke u hequr si shpëtimtare e vendit.

Por këtë mesele të qeverisë nuk po e kapërdijnë shumë maqedonas. Edhe shtetet perëndimore po qëndrojnë në distancë. Në një deklaratë shumë të qartë të ambasadorit amerikan Jess Bailey që u lëshua të hënën u bë e qartë se nuk do të qëndrohet më tutje duarkryq. Ambasadorët e shteteve më të rëndësishme të BE-së qëndruan pas Bailey, kur ky i fundit kërkoi më në fund llogaridhënie nga qeveria sa i përket veprimeve të këqija, të cilat janë bërë publike muajve të fundit përmes telefonatave të përgjuara. «Ky qëndrim i vazhdueshëm indiferent hedh dyshime serioze në obligimin e qeverisë së Maqedonisë për parime demokratike dhe vlera të bashkësisë euroatlantike», tha Bailey.

BE po mendon që të mos propozojë më negociata për anëtarësimin e Maqedonisë. Por kjo me gjasë nuk do t’i bëjë përshtypje regjimit. Prej vitesh Maqedonia nuk jep asnjë shenjë se është e gatshme të zbatojë reformat e kërkuara. Synimi për anëtarësim në BE është shndërruar në një demagogji. (Adelheid Wölfl aus Kumanovo, DER STANDARD, 13.5.2015)

SULEJMAN OSMANI – DONIM NJË REPUBLIKË SHQIPTARE BRENDA MAQEDONISË

 

VOAL – KUMANOVË – Sulejman Osmani i arratisur nga duart e Policisë së Maqedonisë pas ngjarjeve të Kumanovës në një rrëfim për RTK-në mohon spekulimet se grupi i armatosur ishte për qëllime materiale.

Osmani thotë se qëllimi i grupit është krijimi i shtetit shqiptar brenda Maqedonisë i njëjti model si Republika Serbe në Bosnjë.

Sipas tij grupi i luftëtarëve është më shumë se 2 mijë veta.

Osmani thotë se nuk janë dorëzuar në mungesë të municionit por se njëri nga shokët kishte folur me telefon dhe se I kishte thënë se në Lagjen e Trimave janë edhe përfaqësuesit e OSBE-së.

“Ne menduam se OSBE po na merr në dorë e jo policia. Po ta kishim ditur nuk do të ishin dorëzuar por do të qëndronin aty deri sa të vriteshin”, thotë Osmani.

Pas arrestimit ai ishte detyruar të tregonte vendin e fshehjes së armëve në Goshincë ku më pastaj ishte ikur maleve.

Osmani tregon se Mirsad Ndrecajn e ka parë të plagosur në momentin kur janë arrestuar por që nuk di më shumë se çka ka ndodhur me të.

NISHANI DEKRETON AMBASADORIN NË SHKUP – TIRANA KËMBËNGUL PËR HETIM NDËRKOMBËTAR TË KUMANOVËS

 

Kandidatura e Fatos Rekës ishte mbajtur pezull, prej disa muajsh, për shkak të përplasjeve mes presidentit dhe qeverisë. Në takimin e ministrave të Jashtëm të Natos, ministri shqiptar Ditmir Bushati kërkoi hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës

VOAL – TIRANË – Presidenti Bujar Nishani dekretoi sot ambasadorin e Shqipërisë në Shkup, zotin Fatos Reka. Kandidatura e tij ishte mbajtur pezull prej disa muajsh nga presidenti Nishani me arsyetimin se për emërimin e tij ai nuk ishte konsultuar më parë nga ministri i Jashtëm apo kryeministri.

Dekreti i sotëm vjen pas debatesh dhe kritikash të përsëritura ndaj tij, vecanërisht ditët e fundit, kur ambasada e Shqipërisë në Shkup u gjend pa titullarin e saj, ndërsa në Maqedoni tensionet u rritën në fundjavë për shkak të ngjarjeve në Kumanovë, zonë e banuar nga një shumicë shqiptarësh.

Pikërisht situata e ndezur atje, detyroi ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati të emëronte një ditë më parë, një diplomat tjetër, Bashkim Ramën, si të ngarkuar me punë. Ky i fundit pritet të luajë rolin e titullarit edhe për disa kohë, pasi ambasadorit Reka do t’i duhet të presë procedurat e nevojshme diplomatike, të marrjes së agrimentit nga ana e presidentit maqedonas, para se të nisë nga detyra.

Tirana zyrtare përmes disa deklaratave të njëpasnjëshme ka shprehur “shqetësim të thellë për zhvillimet dramatike në Kumanovë”. Këtë shqetësim e ngriti sot edhe ministri i Jashtëm Bushati gjatë diskutimeve për situatën në Maqedoni në takimin e ministrave të Jashtëm të Nato-s në Antalia të Turqisë. Sipas ministrit Bushati, lidhur me ngjarjet e Kumanovës “është i domosdoshëm një hetim ndërkombëtar, për të sqaruar në mënyrë të plotë dhe transaparente atë që ndodhi fundjavën e shkuar”.

KUMANOVA – KËTO JANË PROCEDURAT SE SI FAMILJARËT MUND T’I VIZITOJNË TË PARABURGOSURIT NË SHKUP

VOAL – SHKUP – Ambasada e Kosovës në Maqedoni, ka publikuar procedurat se si familjarët e të arrestuarve në Kumanovë mund t’i vizitojnë ata në qendrën e paraburgimit në Shkup.

Njoftimi i plotë i Ambasadës:

Në lidhje me shtetasit e Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim në Shkup, informohen familjarët se për të realizuar vizitat,(në bazë të Ligjit për Procedura Penale të nenit 178 të RM) duhet ndjekur procedura si në vijim:

• Familjari duhet paraqitet në Gjykatën Themelore 1 Shkup, në Shkup, ku do paraqes kërkesën për vizitë familjarit të paraburgosurit. Kjo mund të bëhet me apo pa avokat. Pas aprovimit të kërkesës, po atë ditë realizohet vizita;

• Datat e mundshme për vizitë janë: 19 dhe 20 maj, si dhe 3 dhe 4 qershor; përgjithësisht vizitat lejohen dy herë brenda muajit.

• Familjarët mund të sjellin veshmbathje, ushqim dhe barna çdo ditë pune, ato duhet dorëzuar tek porta e burgut. Ushqimi duhet të jetë i blerë brenda Maqedonisë dhe i shoqëruar me faturën fiskale;

• Gjykata Themelore Shkup 1 , në Shkup është afër ndërtesës së RTV të Maqedonisë; ndërsa Burgu i Shkupit gjendet në komunën e Shutkës.kp

KUMANOVA – DEKLARATË E 4 PARTIVE NË SHKUP

VOAL – SHKUP – Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni, të mbledhur në Shkup, miratuan, para pak çastesh, një deklaratë të përbashkët ku thuhet se takimi synon nxitjen e vlerave demokratike, përfshirë të drejtën për të protestuar, ndërkohë që dënojnë dhunën, pavarësisht nëse ajo bëhet për qëllime kriminale, apo politike.

Në takimin e organizuar nga ambasadori amerikan në Shkup Jess Baily dhe shefi i zyrës së BE-së, Aivo Oraw marrin pjesë kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-DMPNE, Nikolla Gruevski,   kryetari i Lidhjes Social Demokrate të opozitës Zoran Zaev, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti dhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi.

Diplomatët perëndimorë në Shkup, kanë zhvilluar këto ditë takime intensive me krerët më të lartë shtetërorë dhe drejtuesit politikë në përpjekje për uljen e tensioneve pas ngjarjeve në Kumanovë dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të krizës që ka përfshirë vendin për muaj të tërë nga skandali i përgjimeve.

Ndërkohë, autoritetet maqedonase njoftuan se numri i personave të vrarë, që i përkisnin grupit të armatosur në Kumanovë, nuk është katërmbëdhjetë, siç kishin njoftuar fillimisht, por dhjetë. Një pjesë e medias dhe e opinionit publik i shohin me mosbesim njoftimet e autoriteteve në Shkup, në lidhje me ngjarjet në Kumanovë.

SADULLA DURAKU – ALI AHMETI MË DËRGOI NË KOSOVË TË BISEDOJ ME KOMANDANT SOKOLIN, KY MË THA: NUK JAM NË KUMANOVË

VOAL – KUMANOVË – Pak ditë para se të ndodhte përplasja në Kumanovë, me porosi të Ali Ahmetit, Sadulla Duraku, kryetar i komunës Lukovë, ka takuar në Kosovë Sami Ukshinin, e njohur si Komandant Sokoli për të mësuar se cili është motive që duan të hyjnë në Maqedoni.

Në një intervistë për Ballkan Magazinë, për gazetaren Linda Karadaku, Duraku thotë se takimi ishte bërë në Kosovë dhe komandant Sokoli kishte mohuar që kishte lidhje me ngjarjen.

“Më ka dërguar Ali Ahmeti të takohem dhe më ka kërkuar të mësoj motivin. Sami Ukshinin e kam takuar në Kosovë dhe nuk e kam kuptuar motivin por ai më ka thënë që nuk jam atje,” tha Duraku.

Komandant Sokoli është njëri prej të arrestuarve si pjesëtarëve të grupit të armatosur të cilën policia maqedonase arrestoi në Kumanovë.

Kryetari i komunës Lukovë shton se edhe Shqipëria duhet të shpjegojë motivin pse shqiptari nga Shqipëria ndodhej në Kumanovë.

Për Durakun ngjarja e ndodhur në Kumanovë nuk do të shkaktojë konflikt etnik pasi për herë të parë shumë banorë që janë serbë në Kumanovë i kanë ardhur në ndihmë shqiptarëve të lagjes së Trimave, banesat e të cilave u shkatërruan gjatë operacionit policor.

Duraku e quan të panjohur dhe të pakuptimtë ajo që ndodhi për dy ditë në Kumanovë, por shton se deri tani nuk ka të dhëna për viktima mes civilëve.

“Ka qenë e panjohur dhe pakupimtë ajo që ndodhi. Popullata është e shqetësuar por falë zotit ,ne për momentin nuk kemi të dhëna që kanë vrarë civil por vetëm për dëme materiale në Kumanovë. Banorët janë të shqetësuar por falemi që nuk kemi të vrarë.

Përveç të vrarëve që janë 8 policë dhe jo zyrtarisht nga grupi I armatosur janë të vrarë 12- 14 vetë, nga popullata civile nuk kemi viktima.

Nuk ka ardhur askush të na thotë që familjarët e tyre janë vrarë përveç disa familjeve të afërmit e të cilëve janë të shoqëruar në polici deri në momentin e sqarimit të rrethanave.” Oranews.tv

ÇUN LAJÇI POEZI PËR KOMANDATIN BEG RIZA

Çun Lajçi me poezi për komandantin Beg Riza

Për rënien e komandantit Beg Rizaj në Lagjen e Trimave në Kumanovë Aktori i shquar Çun Lajçi ka kushtuar një poezi, që ia ka dedikuar Begut.

Lajçi këtë poezi e ka shkruar në profilin e tij në Facebook.

Ja vargjet e tij:

Rrjedhë lumi
( Beg Rizes)
Mi ktheni rrugët andej
Lumin ma leni të rrjedhë
Zemrës sime pa dallgë,
Ëndërrat e bardha ua le
Juve që ëndërroni lule.
Dallandyshet nëse ikin
Foletë mos ua prishni.
Ju mjaftojnë mbase dy gur
Tri dërrasa e një grusht Dhé
Të ma bëni një shtëpi!

Komentet

MIRSAD NDRECAJ DHE BEG RIZAJ U KAPËN TË GJALLË – POLICIA I SHPALL TË VDEKUR

VOAL – KUMANOVË – Derisa situata vazhdon të jetë e mjegullt dhe e paqartë rreth zhvillimeve të fundit në Kumanovë, njëri nga pjesëtarët e grupit të armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka arritur t’ju ikë policisë maqedonase, ka thënë se tre nga kosovarët e shpallur të vdekur, ishin kapur të gjallë nga policia.

Dy nga udhëheqësit e grupit të armatosur, Mirsad Ndrecaj, i njohur si komandant “Nato”, dhe Beg Rizaj, i njohur si komandant Begu, konfirmohet se janë në mesin e 14 personave të vrarë gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Maqedonisë, ku po ashtu u vranë tetë policë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë e ka konfirmuar zyrtarisht se Ndrecaj dhe Begu janë në mesin e personave të vrarë gjatë aksionit të policisë në Kumanovë, dhe se identiteti i tyre është vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e INTERPOL-it.

Mirëpo Osmani, i cili ka arritur t’ju ikë policëve maqedonas, ka thënë për të përditshmën Zëri se, Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj dhe Muhamed Krasniqi, i njohur si Malisheva,janë kapur të gjallë nga policia maqedonase.

“E di që Xhafa, Nato dhe Malisheva kanë qenë të plagosur, por janë kapur të gjallë nga policia. Më pastaj se çfarë ka ndodhur nuk e di, sepse policia maqedonase ka bërë shpërndarjen e grupit”, ka thënë Osmani, për të cilin mediet kanë raportuar se ishte ai që ka treguar vendndodhjen e armatimit të grupit, shkruan e përditshmja Zëri.

Në anën tjetër, jozyrtarisht thuhet se numri i personave të të vrarëve në përleshjen që ndodhi ditë më parë në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, mund të jetë më i vogël se sa që ishte thënë në fillim. Sipas medieve maqedonase, nuk janë 14 të vrarë në mesin e grupit të armatosur, por vetëm dhjetë prej tyre. /lajmi.net/

KOMANDANT SULA – TË RRETHUARIT U DORËZUAN ME NDËRMJETËSIM TË ALI AHMETIT

Njëri nga pjesëtarët e Grupit të Armatosur, Sulejman Osmani, i njohur si “Sula”, i cili ka qenë pjesëmarrës në betejën e Kumanovës, por që deklaron se ka arritur t’ju ikë policisë maqedonase pas dorëzimit të grupit, ai ka folur për këtë rast ku sipas tij ka qenë i përfshirë në ndërmjetësim mes policisë dhe grupit Ali Ahmeti lideri i BDI-së, dhe deputeti Artan Grubi, Xhezair Shaqiri –

Komandant Hoxha nga ky takim mes tij dhe Komandant Sula. Me ç’rast ai thotë se me shumë vështirësi sot ka arritur ta takojë dëshmitarin e vetëm të gjallë nga incidenti i armatosur në Kumanovë, e ai është Komandant Sula.

“Diku në malet e Karadakut në territorin e Maqedonisë me vështirësi të madhe e takova dëshmitarin e vetëm të luftërave te Lagjja e Trimave në Kumanovë – Komandant Sula. Ndëgjoni me vëmendje deklaratën e tij se si ka ndodh dorëzimi i ushtarëve tek policia maqedonase me ndërmjetësimin e Ali Ahmetit”, – thekosn Xhezair Shaqiri./tetovasot/

SHKUPI ZYRTAR – NUK JANË 14 POR 10 TË VRARËT NË KUMANOVË

VOAL – SHKUP – Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka konfirmuar zyrtarisht shkrimet e Alsat M se trupat e Mirsad Ndrecajt, i njohur si komandant NATO dhe Beg Rizajt, komandant Begu janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës.

Identiteti i tyre ishte vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e Interpolit në Shkup. Siç ka marr vesh dje Alsat-M jo zyrtarisht nga Ministria e Brendshme sot kanë konfirmuar se tek Ndrecaj janë gjetur edhe dokumentet e tij të identitetit. Policia thotë se është e sigurt edhe për identitetin e një tjetër të vrari, i cili është shtetas i Maqedonisë.

“Deri tani është konfirmuar pozitivisht identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova i ashtuquajtur Komandant NATO për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur. Arriti konfirmimi pozitiv për identitetin e Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova i njohur si komandant Begu. Nga të vrarët, është konfirmuar identiteti i Nusret Kaloshit i lindur më 18.04.1975, shtetas i Maqedonisë”, njoftojnë nga MPB-ja.

Në njoftimin publik nga MPB-ja shkruhet se vazhdon identifikimi edhe i trupave tjerë të gjetur. Fillimisht, u raportua se janë gjetur gjithsej 14., por burime të sigurta policore thonë se ai ishte numër nga terreni, dhe se ka variacione të mundshme të vogla në numrin përfundimtar.

Nga burime të tjera spekulojnë se ka mundësi që numri i viktimave në të vërtetë të jetë 10. Zyrtarisht, Ministria e Brendshme nuk bëri komente mbi këtë çështje.

Përveç se është konfirmuar identiteti i Ndrecajt dhe Rizajt, nga MPB-ja thonë se vazhdon identifikimi edhe i 30 të arrestuarve të tjerë.

Zyrtarisht, ajo që mund të shihet nga fotografitë e djeshme të aksionit, u konfirmua se në polici është Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli. Alsat M, që dje njoftoi se përveç Sokolit, MPB-ja në Kumanovë ka arrestuar edhe Muhamed Krasniqin i njohur si komandant Malisheva dhe komandant Junikun, Demë Shehun.

Deri tani, policia nuk e ka konfirmuar lajmin, për shkak se sipas informatave jozyrtare, Malisheva dhe Juniku kanë dhënë identitet të rremë, dhe ende pritet konfirmim përfundimtar. Siç raportuam edhe dje, është thuajse e sigurt se të pesë personat që janë konsideruar si udhëheqës të grupit të Kumanovës, të gjallë ose të vdekur, janë në duart e policisë. /Alsat-M/

RAMUSH HARADINAJ – RAJONI RREZIKOHET NGA QEVERITË KRIMINALE DHE TË KORRUPTUARA

VOAL – PRISHTINË – Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj në një shkrim të postuar në Facebook ka thënë se Aleanca distancohet nga dhuna por ka potencuar se rreziku I vetëm që ka rajoni janë qeveritë e kriminalizuara.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

Ngjarjet në Kumanovë tregojnë se rajoni nuk është i rrezikuar nga “patriotët etnikë”, por nga qeveritë e korruptuara dhe të kriminalizuara të këtij rajoni.

Lëvizjet për ndryshim këto qeveri nuk do të mund t’i ngulfasin duke përdorur dhunën apo konfliktet e paqena ndëretnike.

Ne si Aleancë distancohemi nga dhuna dhe nga çdo formë e zgjidhjes së problemeve në çfarëdo forme të dhunshme, por edhe njëherë potencojmë se i vetmi rrezik që ka rajoni, qëndron tek qeveritë e kriminalizuara dhe të korruptuara.

CARL BILDT – BASHKIMI EVROPIAN T’I PËRKUSHTOHET ME SHUMË BALLKANIT

VOAL – Ish kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se nuk pret që konflikti i armatosur në Kumanovë të transferohet në vende të tjera të rajonit. Megjithatë, ai ka theksuar nevojën që Bashkimi Evropian t’iu kushtojë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan.

Radio Evropa e Lirë: Serbia ka thënë se do të harmonizojë politikën e jashtme me politikën e Bashkimit Evropian. Si e shihni nivelin e këtij harmonizimi?

Carl Bildt: Mendoj se është e rëndësishme që të ndodhë harmonizimi, sepse ai reflekton faktin se vende të ndryshme ndajnë vlera dhe interesa të përbashkët. Andaj, harmonizimi gradual i politikës së jashtme të Serbisë me atë të Evropës do të ishte ndarje e vlerave dhe inetersave të njëjtë.

Por, kur bëhet fjalë për sanksionet kundër Rusisë, Serbia vazhdon të mos ndjekë vijën e BE-së. Mendoj se është për keqardhje. Jo se sanksionet do të ndryshojnë shumëçka sa i përket Rusisë, por ato janë pjesë e paketës sonë politike, për të ruajtur rendin evropian.

Duhet të dihet fakti se Rusia ka rol shumë aktiv në lojën për ndarje në Evropë dhe ka rrezik që Rusia të luajë me Serbinë në atë mënyrë që do të dëmtonte interesat e saj.

Radio Evropa e Lirë: Kur duhet ta përshtasë Serbia plotësisht politikën e saj të jashtme me BE-në?

Carl Bildt: Mendoj se kjo ndodh gradualisht. Natyrisht, harmonizimi i plotë bëhet kur të bëhet anëtare e BE-së, por paraprakisht duhet të dëshmojë përkushtimin për t’u bërë anëtare. Sa më parë që kjo ndodh, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Një pjesë shumë e rëndësishme e rrugës evropiane të Serbisë janë marrëdhëniet me Kosovën. A ka rrezik nga ngecja në dialogun Kosovë-Serbi dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit?

Carl Bildt: Ky rrezik gjithmonë ekziston, por shikuar nga anash, mund të them se është mbresëlënëse se sa probleme janë zgjidhur. Kanë mbetur probleme që janë më të vogla nëse krahasohen me ato që janë zgjidhur tashmë. Kanë mbetur detaje dhe gjithmonë ka rrezik nga tensionet rreth detajeve.

Radio Evropa e Lirë: Fundjavën e kaluar ka pasur një konflikt të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë. Çfarë mendoni se qëndron prapa kësaj ngjarjeje?

Carl Bildt: Nuk e di. Do të doja të kem më shumë informacione në lidhje me këtë. Të gjithë do të donim. Por, siç duket, ka qenë një grup që ka bërë përpjekje të vendosë diçka në Kumanovë. Kjo ka ndodhur në momentin kur kemi probleme të tjera në Maqedoni, çfarë është shqetësuese.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik nga transferimi i këtij konflikti në vendet fqinje?

Carl Bildt: Deri më tash, nuk ka pasur shenja për këtë. Nëse shihni periudhën nga viti 2001, kur ka pasur konflikt, e deri më tash, ajo ka qenë e qetë dhe e qëndrueshme. Mendoj se të gjithë shpresojnë se kështu do të vazhdojë.

Radio Evropa e Lirë: Më herët keni vlerësuar se Ballkani është më i ndjeshëm se pjesët e tjera të Evropës. Pra, ka ndodhur konflikti në Maqedoni, paqëndrueshmëria politike atje, Dodik kërcënon me referendum në Republikën Sërpska… A po i kushton BE-ja vëmendje të mjaftueshme Ballkanit?

Carl Bildt: Mendoj se kjo është e saktë dhe se duhet t’iu kushtojmë më shumë vëmendje ngjarjeve në Ballkan. Ka edhe gjëra të mira atje, nuk mund të themi se gjithçka është problematike. Është arritur përparim i rëndësishëm në 15 vjetët e fundit, këtu nuk ka dyshim.

Por, nganjëherë, harrojmë se ka ende çështje të hapura dhe fokusin e bartim te çështje të tjera. Ekziston një nevojë e qartë që BE-ja të jetë më akive rreth çështjeve në Ballkan.
Përgatiti: Valona Tela

MESAZHI I LUFTËTARIT: MOTËR ME SIGURI DO TË VRITEM, M’U KANË VRA SHUMË SHOKË! NUK KEMI ASNJË PLUMB! NA TRADHËTUAN!

VOAL – Është trishtues dhe rrëqethës rrëfimi i fundit nëpërmjet telefonit i njërit prej luftëtarëve që me siguri ka mbetur i vrarë në luftimet në Kumanovë. Biseda rrëqethëse këputet pas pak, asnjë shenjë më dhe asnjë gjurmë… vetëm të shtënat e fundit dëgjohen. Ai i lë amanet motrës ngushëllimin për nënën.
“Me siguri do të vritemi! Nuk na ka mbetur asnjë plumb, mu kanë vrarë shumë shokë, po të kishim municion akoma do luftonim, … edhe këtë vend të trimave do ta mbushnim me varre të tyre. Na tradhtuan motër, por mos më qani e kemi pagur veten.
Mos e le nanën të mërzitet së baba është ma i fortë”.
Dhe këtu merr fund gjithçka, ndihen të shtënat!/ BS

AMERIKANËT ME INCIZIME: QEVERIA KISHTE KONTAKTE ME GRUPIN E ARMATOSUR

VOAL – Dorëheqjet e mbrëmshme të ministres së Punëve të Prendshme të Maqedonisë, Gordana Jankullovska dhe shefit të shërbimit sekret të këtij vendi, Sasho Mijallkov, kanë pasuar pas një takimi që ata kanë pasur në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.Sipas burimeve të portalit Libertas, në këtë takim, Jankullovskës dhe Mijallkovit u janë dhënë regjistrime (incizime) nga kontaktet telefonike midis përfaqësuesve të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundëzbulimit (DSK) me grupin e armatosur, konkretisht me personin e quajtur komandant NATO dhe njerëzit e tij.Siç thuhet më tej, aty u është dëshmuar përfshirja e DSK-së, e cila ka biseduar me grupin e armatosur në Kumanovë.“Shqiptarë të punësuar në DSK kanë kontaktuar përmes telefonit me grupin e armatosur, duke thënë se ata kanë kontaktuar me urdhër direkt të shefit të DSK-së, i cili ka pyetur se çfarë kompensimi kërkojnë që të tërhiqen. Praktikisht MPB ka hyrë në bisedime me ta”, thotë burimi i Libertas, transmeton INA.Paralelisht me këtë, edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në marrëveshje me partnerët e koalicionit ka kërkuar ndihmë nga OSBE për të tërhequr tre persona të afërt me të që ishin pjesë e grupit, që më pas të negocion me ta.“Gjatë takimit të sotëm në ambasadën amerikanë, edhe Ahmetit iu bë e ditur se komuniteti ndërkombëtar përmes këtyre incizimeve e ka të qartë edhe përfshirjen e Qeverisë në ngjarjet në Kumanovë dhe se aksionin e përgjakshëm MPB-ja e filloi kur veçse në terren kishin humbur jetën disa pjesëtarë të forcave policore”, bën të ditur burimi.

“Dorëheqjet që ndodhen janë logjike pas takimeve mes ambasadorëve dhe zyrtarëve”, ka thënë burimi diplomatik, duke mos e bërë të qartë nëse edhe kryeministri Nikolla Gruevski së shpejti do të japë dorëheqje, edhe pse sipas burimit, ka pasur informatat për kontaktet e kushëririt të tij me grupin kriminal.

MPB KONFIRMON: MIRSAD NDRECAJ DHE BEG RIZAJ NË MESIN E TË VRARËVE

VOAL -​ SHKUP -Ministria e Brendshme ka konfirmuar zyrtarisht se trupat e Mirsad Ndrecajt, i njohur si komandant NATO dhe Beg Rizajt, komandant Begu janë në mesin e të vrarëve në aksionin policor të Kumanovës. Identiteti i tyre ishte vërtetuar në bashkëpunim me Byronë e Interpolit në Shkup.Siç njoftoi dje Alsat-M, nga Ministria e Brendshme sot kanë konfirmuar se tek Ndrecaj janë gjetur edhe dokumentet e tij të identitetit. Policia thotë se është e sigurt edhe për identitetin e një tjetër të vrari, i cili është shtetas i Maqedonisë.

“Deri tani është konfirmuar pozitivisht identiteti i Mirsad Ndrecajt, i lindur më 17.06.1979, nga Kosova i ashtuquajtur Komandant NATO për të cilin kishte dyshime se është një nga udhëheqësit e grupit të armatosur. Arriti konfirmimi pozitiv për identitetin e Beg Rizajt i lindur më 25.12.1977, nga Kosova i njohur si komandant Begu. Nga të vrarët, është konfirmuar identiteti i Nusret Kaloshit i lindur më 18.04.1975, shtetas i Maqedonisë”, njoftojnë nga MPB-ja.

Në njoftimin publik nga MPB-ja shkruhet se vazhdon identifikimi edhe i trupave tjerë të gjetur. Fillimisht, u raportua se janë gjetur gjithsej 14. Por burime të sigurta policore thonë se ai ishte numër nga terreni, dhe se ka variacione të mundshme të vogla në numrin përfundimtar. Nga burime të tjera spekulojnë se ka mundësi që numri i viktimave në të vërtetë të jetë 10.

Zyrtarisht, Ministria e Brendshme nuk bëri komente mbi këtë çështje. Përveç se është konfirmuar identiteti i Ndrecajt dhe Rizajt, nga MPB-ja thonë se vazhdon identifikimi edhe i 30 të arrestuarve të tjerë. Zyrtarisht, ajo që mund të shihet nga fotografitë e djeshme të aksionit, u konfirmua se në polici është Sami Ukshini, i njohur si Komandant Sokoli.

Alsat M, që dje njoftoi se përveç Sokolit, MPB-ja në Kumanovë ka arrestuar edhe Muhamed Krasniqin i njohur si komandant Malisheva dhe komandant Junikun, Demë Shehun. Deri tani, policia nuk e ka konfirmuar lajmin, për shkak se sipas informatave jozyrtare, Malisheva dhe Juniku kanë dhënë identitet të rremë, dhe ende pritet konfirmim përfundimtar.

Siç raportuam edhe dje, është thuajse e sigurt se të pesë personat që janë konsideruar si udhëheqës të grupit të Kumanovës, të gjallë ose të vdekur, janë në duart e policisë.

Ohridsky – UASHINGTONI BLLOKON LLOGARITË DHE PRONAT E POLITIKANËVE MAQEDONAS

VOAL – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë vendim për t’i bllokuar llogaritë bankare dhe pronat e politikanëve maqedonas nga të gjitha eshallonet e pushtetit, si dhe të një numri të madh biznesmenësh të afërt me pushtetin, për të cilët ekzistojnë dyshime për krime dhe korrupsion, lajmëroi portali maqedonas “Ohridsky”.

Diplomat i paemëruar i lartë amerikan për portalin e ka konfirmuar lajmin, duke shtuar se rekomandim për të vepruar në mënyrën e njëjtë i është dhënë edhe Brukselit, respektivisht të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Bllokimi i llogarive dhe pronave të krerëve të politikës dhe biznesit në Maqedoni, sipas të njëjtit burim, do të zgjasë deri sa në vend të krijohet klimë stabile politiko-ekonomike dhe “deri në lirimin e organeve gjyqësore nga kthetrat e politikanëve”.

PROTESTA SOT NË SHKUP – TË DORËHIQET QEVERIA NË TËRËSI

VOAL – SHKUP – Organizatorët e protestave në Maqedoni, lëvizja qytetare “Protestoj”, kanë përshëndetur dorëheqjen e dy ministrave, Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski, dhe drejtorit të Kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, si “një shenjë inkurajuese se veprimi i qytetarëve po sjell ndryshime”, por njëkohësisht konsiderojnë se ato janë vetëm “rekonstruksion kozmetik”.

Së këndejmi, siç transmeton KosovaPress-i, ata për sot në orën 18 në Shkup, kanë thirrur protestë të re para Qeverisë kundër pushtetit aktual dhe me kërkesë për dorëheqje të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të gjithë anëtarëve të kabinetit të tij.

Organizatorët e protestave të përditshme para Qeverisë thonë se tashmë është e qartë se “lëvizja do ta mposhtë regjimin e padrejtë dhe çnjerëzor”.

“Dorëheqjet janë fitore e qytetarëve dhe shenjë inkurajuese se veprimi ynë i përbashkët tashmë po sjell ndryshime pozitive. Por, ne nuk do të ndalemi me kaq! Rekonstruksioni kozmetik i Qeverisë, apo zëvendësimi i një elite të korruptuar me një tjetër nuk do të ndihmojë për tejkalimin e krizës sistemore me të cilën po ballafaqohen Maqedonia dhe qytetarët e saj”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Protestoj”.

Ata porosisin se do të vazhdojnë protestat deri në plotësimin e tri kërkesave të të tyre kryesore: dorëheqjen e menjëhershme të tërë Qeverisë në krye me Gruevskin, lirimin e të gjithë aktivistëve të arrestuar nga 5 maji e këtej dhe formimin e Qeverisë për demokratizimin e institucioneve dhe mundësimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike.

“Zëshëm dhe vendosmërisht të kërkojmë dorëheqje nga tërë qeveria”, thuhet në thirrjen për protestën e sotme në Shkup.

Editoriali – DETYRIMET TONA NDAJ SHQIPTARËVE TË VRARË E TË ARRESTUAR NË KUMANOVË

VOAL – Në zhvillimet e para pak ditëve pati shumë shqiptarë të vrarë dhe të arrestuar nga ana e forcave speciale të Maqedonisë. Politika jonë në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup e ka për detyrë që të bëjë të mundur ndriçimin e plotë të zhvillimeve të atyre ditëve në Lagjen e Trimave në Kumanovë dhe të dalë sa më shpejt me versionin e saj zyrtar, në mënyrë që të nxirren mësimet e duhura dhe të merren masat e duhura. Ne si komb e kemi për detyrë të tregojmë se jeta dhe integriteti i bijve tanë është i çmuar dhe i shenjtë. Prandaj atyre që dhanë jetën nga plumbat e Maqedonisë t’iu bëhen të gjitha nderimet dhe shërbesat e lamtumirës në vendlindjet e tyre. Për të arrestuarit të sigurojmë një proces absolutisht të drejtë, dhe transparent duke përfshirë avokatë sa më të zotë, mundësisht edhe ndërkombëtarë, dhe duke sensibilizuar të gjitha organizmat shqiptare e ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Është koha e fundit që ne ta mbrojmë të vërtetën shqiptare të shkelur, të fyer, të nëpërkëmbur dhe të poshtëruar nga një Maqedoni, e cila në këtë çerek shekulli është dëshmuar e pabesë dhe armiqësore ndaj qytetarëve të saj shqiptarë dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi. Seriozitetin tonë në këtë përkushtim kemi rastin dhe mundësinë tashmë ta shpalosim pikërisht në rastin e zhvillimeve në Lagjen e Trimave të qytetit të Kumanovës, duke i përmbushur një për një detyrimet tona ndaj bashkëkombësve tanë që e humbën jetën dhe ndaj atyre që ndodhen të arrestuar. Nëse i neglizhojmë, nëse nuk i përmbushim me dinjitet këto detyrime, ashtu si do të bënte çdo komb i vërtetë evropian, atëherë nuk kemi pse të ankohemi kurrë më për papërgjegjësitë, për vrazhdësitë dhe për barbaritë e Maqedonisë ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, nuk kemi pse ta deklarojmë më kurrë shqiptarinë tonë, atdhetarinë tonë.

PYETJA E VOGËLUSHES ZAMIRA JASHARI NGA KUMANOVA – NËNË, A VRASIN FËMIJË?

VOAL – KUMANOVË – Zamira Jashari ishte vetëm një nga vogëlushët që përjetoi tmerrin e mëngjesit të 9 majit. 6-vjeçarja nga fshati Ropalcë, e cila ditën e përleshjeve mes grupeve të armatosura dhe policisë, ndodhej tek dajat e saj në Kumanovë, rrëfen përjetimin e saj për mëngjesin e së shtunës.

Në një intervistë për Radio Pendimi vogëlushja nga Kumanova ka një porosi për politikanët: Kurrë s’do merrni votat tona. Fotografia e saj preku thellë zemrat e opinionit, ndërkohë që të njëjtën tronditje pësuan të gjithë fëmijët e Kumanovës.

Zamira Jashari tregon se ka pasur frikë se mos vritej bashkë me familjen e saj. Ndërkohë që si një fëmijë i çiltër pyetja e saj për nënë ishte: “Ma’, a vrasin fëmijë?”.

Gazeta zvicerane «Südostschweiz»: Maqedonia nuk mbijeton si shtet nëse i sulmon shqiptarët

Po u ngritën maqedonasit kundër shqiptarëve, atëherë shteti i vogël nuk ka shans të mbijetojë. Nëse grinden, siç ka ndodhur muajve të fundit, dy kampet politike të kombit maqedonas, atëherë konflikti, herët apo vonë, po ashtu do të shndërrohet në konflikt etnik. Atëherë shqiptarët do të ikin nga shteti pa perspektivë dhe në fundosje e sipër – dhe ata do të ikin duke e marrë me vete territorin ku banojnë, shkruan në komentin e saj gazeta zvicerane «Südostschweiz».

Prej vitesh në Europë jehon vajtimi se sa e tmerrshme është kur vendet hyjnë para kohe në BE – si për shembull Rumania dhe Bullgaria. Maqedonia tregon se çfarë ndodhë nëse një vend e lini të vuajë urie dhe me dorë të shtrirë. Pa perspektivë konkrete të anëtarësimit kombet e vogla në Europën Juglindore e humbin kompasin. Me çdo vit që largohet anëtarësimit proeuropianët humbin terren dhe liderët autoritarë dhe oligarkët kriminelë fitojnë përparësi. Në fund pasojnë kaosi dhe lufta civile. Maqedonia gjendet pak para tyre.

Ky zhvillim fatal i këtij vendi të vogël të Ballkanit na nisur para tamam shtatë vjetësh: në një samit të NATO-s në Bukuresht, kur Maqedonia duhej të bëhej anëtare, delegati grek befasisht ngriti dorën për veto. SHBA-të dhe fuqitë e mëdha perëndimore rrugën supet dhe e harruan këtë. Që nga atëherë e tutje kush thoshte «Europë» në Maqedoni dhe kërkesën e tij për modernizim dhe reforma e arsyetonte me shpresën për hyrje në BE, ai korrte vetëm ngërdheshje cinike. Ata nuk na duan, përgjigjej qeveria.

Ende është e paqartë nëse këto ditë në Maqedoni vërtet po ngre krye ekstremizmi shqiptar apo konflikti është inskenuar nga qeveria. Diçka e tillë mund të pritet prej saj: rrethi më i ngushtë i pushtetit viteve të fundit ka vepruar në mënyrë ekstreme manipuluese. Por, në thelb, për epilogun e konfliktit nuk luan rol nëse pas kësaj qëndron vërtet një «ushtri çlirimtare» apo këtu i ka gishtat e përzier policia sekrete. Qeveria nuk gëzon kurrfarë kredibiliteti dhe nuk do të mund ta luftonte efektivisht ekstremizmin edhe sikur të donte. Po u ngritën maqedonasit kundër shqiptarëve, atëherë shteti i vogël nuk ka shans të mbijetojë. Nëse grinden, siç ka ndodhur muajve të fundit, dy kampet politike të kombit maqedonas, atëherë konflikti, herët apo vonë, po ashtu do të shndërrohet në konflikt etnik. Atëherë shqiptarët do të ikin nga shteti pa perspektivë dhe në fundosje e sipër – dhe ata do të ikin duke e marrë me vete territorin ku banojnë.

NËNKRYETARI I PARLAMENTIT EVROPIAN KËRKON DORËHEQJEN E GRUEVSKI


Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alexander Graf Lambsdorff i ka kërkuar kryeministrit Nikolla Gruevski që të jap dorëheqje.Ai në një prononcim zyrtar ka kërkuar që Gruevski të jap dorëheqje dhe me këtë të kontribojë për zgjidhjen e krizës, informon INA.

“Shpërthimi i dhunës në Maqedoni përbën një fotografi të thellë shqetësuese. Kryeministri Nikola Gruevski patjetër duhet të tërhiqet si barrierë që është në rrugën për uljen e tensioneve etnike, që sërish janë rindezur, por edhe për zgjedhje të reja që do të mbaheshin në kushte adekuate demokratike. Pa një aksion të shpejtë, rajoni sërish do të jetë buzë një lufte qytetare. Në situatë e tillë, duke pasur parasysh Marrëveshjen e Ohrit, asnjëherë nuk duhej të vinte”, theksoi nënkryetari i PE-së, Lambsdorff.

Parlamenti Evropian ishte një nga faktorët kyç të BE-së që ishte përfshirë në zgjidhjen e krizës në Maqedoni dhe nxitjen e negociatave midis dy partive më të mëdha maqedonase në Bruksel, por që rezultuan të dështuara, edhe përkundër ndërmjetësimit nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Richard Hovit dhe Eduard Kukan. (INA)

Dorëhiqen njerëzit më të afërt të Gruevskit, ikin 3 ministra dhe kreu i Shërbimeve Sekrete

VOAL – Njerëzit më të afërt të Kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhanë dorëheqjen mbrëmjen e së martës. Tre prej tyre kanë qenë edhe personazhet më të akuzuar nga denoncimi i skandalit të përgjimeve që vijon të trondisë vendin prej shumë javësh.

Dorëheqjen e dhanë ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ai i Transporteve, Mile Janakievski dhe shefi i Shërbimeve Sekret të Maqedonisë, Sasho Mijallkov.

Dorëheqja e Jankullovskës vjen pas ngjarjes në Kumanovë ku mbetën 22 të vrarë, prej të cilëve tetë pjesëtarë të policisë. Ndërkohë, pas tyre dha dorëheqjen edhe Zoran Stavreski si ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër.

Mediat thonë se pritet edhe dorëheqja e Prokurori Publik, Marko Zverlevsk. Ndërkohë Kryeministri Nikolla Gruevski, tashmë ka dorëzuar në Kuvend propozimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë.

Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski ka caktuar për sot në ora 13:00 seancën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar.

Ndërkohë, mediat maqedonase njoftojnë se në orët në vijim pritet që të ketë të tjera dorëheqje nga anëtarë të Qeverisë, por edhe zyrtarë të lartë të shtetit. Nuk ka asnjë informacion nëse do të ketë dorëheqje të ndonjë prej ministrave shqiptarë të partisë së Ali Ahmetit.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi ka komentuar dorëheqjet e para të Qeverisë, ku tha se ky nuk është qëllimi i partisë së tij, por ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit.

“Çdo gjë që kemi diskutuar është konfirmuar. Kjo është dëshmi e përgjimit dhe për vërtetësinë e bisedimeve. Dorëheqjet e ministrave nuk janë qëllimi ynë përfundimtar. Ky është vetëm një hap drejt fundit të Nikolla Gruevskit”, shkruan Zoran Zaevi, lideri i opozitës maqedonase.

Por nga këto zhvillime duket se një gjë është e sigurt, që vetë Kryeministri Nikolla Gruevski duket se nuk ka asnjë plan për të dhënë dorëheqje, pa të cilin opozita thotë se nuk ka zgjidhje të krizës politike që ka mbërthyer vendin prej kaq kohësh.

TRI DORËHEQJE NË QEVERINË E MAQEDONISË

VOAL- SHKUP – Dorëhiqen Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski si dhe drejtori i drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov.

Kryeministri, Nikolla Griuevski për ministër te ri të punëve te brendshme ka propozuar, Mitko Çavkov, aktualisht drejtor i byrosë për siguri publike ndërsa për ministër të transportit, Vllado Misajllovskin.

Dorëheqjet vijnë pas përleshjeve te armatosura në Kumanovë, që lanë pas vetes 22 të vrarë por edhe krizës politike të nxitur nga afera e përgjimeve. rel

ZËRI I AMERIKËS – MBIZOTËROJNË PAQARTËSITË NË MAQEDONI

Autoritetet maqedonase nuk japin shumë hollësi në lidhje me identitetin e personave të vrarë, të cilët thonë se i përkasin grupit të armatosur, në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë, ndërkohë që thonë se tre nga pesë udhëheqësit e grupit janë arrestuar.

Sipas organeve hetuese, sulmuesit synonin, mes tjerash, të minonin Urën e Gurit mbi lumin Vardar. Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive të dëmtuara. Ndërsa, diplomatët perëndimorë po përpiqen të ulin tensionet në Maqedoni.

Autoritetet maqedonase kanë bërë të ditur emrat e disa prej atyre që besohet të ishin pjesëmarrës në përleshjet e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë me forcat qeveritare maqedonase.

Autoritetet flasin për një pjesë të drejtuesve të grupit që janë arrestuar dhe, supas tyre, ata janë Muhamet Krasniqi i njohur si komandant Malisheva, Sami Ukshini apo komandant Sokoli dhe Demë Shehu i njohur si komandant Juniku.

Ndërkohë, zyrtarisht nuk thuhet gjë për katërmbëdhjetë trupat e gjetur, sipas policisë, pas operacionit në Kumanovë, por mjete të informimit të afërta me pushtetin spekullojnë se në mesin e të vrarëve të jetë dhe ai, që shërbimet maqedonase të zbulimit e konsiderojnë si udhëheqës të grupit, Mirsad Ndrecaj. Zyrtarët maqedonas thonë se po bëhet identifikimi nga mjeksia ligjore i personave të vrarë.

Nga ana tjetër, në Shkup janë shtuar debatet nëse grupi i armatosur, të cilin zyrtarët e këtushëm e quajnë terrorist, ishte i manipuluar nga qarqe qeveritare të Shkupit për të krijuar një lloj destabiliteti që do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik nga kriza reale politike, apo të ishin mercenarë të paguar nga shërbime serbe dhe ruse, ose luftëtarë të kauzës kombëtare.

Faktori politik shqiptarë, si në Maqedoni dhe rajon, e ka dënuar dhunën dhe përpjekjet për destabilizimin e Maqedonisë që nuk përkon, sipas tyre, me interesin e shqiptarëve.

Ndërkohë, diplomatët me ndikim në Maqedoni janë angazhuar për të qetësuar gjendjen në këtë vend. Pas takimeve të djeshme me presidentin dhe kryeministrin , ambasadorët e SHBA, BE, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë e pritën në zyrat e Bashkimit Evropian në Shkup, Ali Ahmetin, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Ambasadori italian duke folur në emër të të gjithë kolegëve, tha se BDI-ja mban përgjegjësi për avancimin e vlerave dhe parimeve demokratike. Ambasadori Ernesto Belelli tha se BDI-ja e ka për detyrë të ndihmojë institucionet e vendit dhe të sigurojë hetimin e plotë, transparent dhe të besueshëm mbi manipulimet e zbuluara nga përgjimet.

“Tani, më shumë se kurdoherë BDI duhet të marrë qëndrim dhe të shfrytëzojë ndikimin e saj për të mirën dhe ardhmërinë e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, theksoi ambasadori italian në Shkup.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti iu shmang gazetarëve pas takimit. Drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare nuk kanë shkuar për t’i parë banorët e dëmtuar në Kumanovë, ndërsa në Kumanovë dje shkoi Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate maqedonase, i cili u mirëprit nga banorët shqiptarë të lagjes.

Ndërkohë, qeveria e Maqedonisë ka premtuar se do të dëmshpërblejë pronarët e shtëpive që u dëmtuan gjatë operacioneve në Kumanovë. Është formuar një komision qeveritar për vlerësimin e dëmeve dhe premtimet janë që dëmshpërblimi i pronave të paluajtshme dhe të luajtshme të bëhet njëqind për qind.

LUBOMIR FËRÇKOSKI – QEVERIA NË SHKUP PO NXIT TENSIONET NDËRETNIKE Fërçkoski – Konflikti në Maqedoni s’ka të bëjë me “Shqipërinë e Madhe”

 

Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Lubomir Fërçkoski, ka analizuar për Radion Evropa e Lirë zhvillimet në Maqedoni, veçmas prapavijën e konfliktit të armatosur në Kumanovë, dhe ka akuzuar Qeverinë në Shkup për nxitje të tensioneve etnike. Ai thotë se e gjitha është çështje e brendshme e Maqedonisë dhe se nuk ka të bëjë asgjë me fqinjët.Radio Evropa e Lirë: Në Serbi, gazetat kanë dalë me titujt: “Shqipëria e Madhe po troket në derë”, “Nisi lufta për Shqipërinë e Madhe”, “Kumanova sulmohet nga Kosova”… A mund të interpretohen nga ky kënd ngjarjet në Maqedoni?Lubomir Fërçkoski: Kam lexuar tituj të tillë në portale, si: “Çetnikët nisen për të çliruar Kumanovën”, pastaj “Shqipëria e Madhe”, “Nisi lufta në Maqedoni”, “Kaos në Maqedoni” e të tjera. Kjo qeveri edhe e ka merituar këtë. Mirëpo, asgjë e ngjashme me këtë nuk ndodh në terma realë. Bëhet fjalë për një fenomen që e kam cekur gjithmonë. Çdo qeveri e VMRO-DPMNE-së përfundon me tensione etnike. Ky është rregull në Maqedoni; ata thjesht nuk dinë të qeverisin në një shtet multikulturor. Qeverisin me korrupsion, krim, korruptojnë madje edhe shqiptarët. Dhe, në fund, gjithmonë përfundon me ndonjë tension.Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se ky është një konflikt i inskenuar?

Lubomir Fërçkoski: Jo, nuk e them këtë, sepse nuk e di. Nëse është inskenuar, atëherë kanë humbur kontrollin. Me kaq të vdekur është një skenar i keq. Nuk dihet se sa civilë kanë pësuar, sa shqiptarë, atmosferë paniku në Kumanovë dhe më gjerë, tensione midis shqiptarëve dhe maqedonasve… Këto të gjitha janë kombinime të këqija. Nëse qeveria mendon se tani do të fitojë mandatin për ta rregulluar këtë, se bashkësia ndërkombëtare do t’i thotë: ju rregullojeni, ne qëndrojmë prapa jush, ajo gënjehet.

Radio Evropa e Lirë: Ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, ka thënë se grupi i armatosur, apo “terroristët” siç i ka quajtur ajo, kanë ardhur nga një vend fqinj dhe se një pjesë e tyre janë nga Maqedonia…

Lubomir Fërçkoski: Ky është një aluzion për UÇK-në dhe për kryengritësit shqiptarë në Maqedoni në vitin 2001. Nuk është e vështirë këtu të gjenden grupe që nuk janë të kënaqura me pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeveri. Komandanti i tyre, njëri nga ata të ashtuquajtur komandantë, drejton gishtin kah Ali Ahmeti (kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim – parti që mjerr pjesë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë). Ai thotë: ose Ahmeti të dalë nga qeveria, ose do të ketë luftë në Maqedoni. Kjo është teza e tij.

Andaj, unë mendoj se dështimi në qeverisjen e vendit krijon klimën që grupe të ndryshme të organizuara, të gjysmë-organizuara, grupe që vijnë nga jashtë ose nga brenda – çfarë ka pak rëndësi – të gjejnë terren. Ato janë nisur nga nënçmimi i shqiptarëve në qeveri; korrupsioni i tyre shkakton zemërim te shqiptarët. 52 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë nuk janë të përfaqësuar në politikë. Kjo pakënaqësi kulmon në incidente të tilla. Kjo nuk ka të bëjë me konceptin e “Shqipërisë së Madhe”, me Kosovën, me Shqipërinë etj. Ky është është frustrim brenda shqiptarëve të Maqedonisë dhe, në njëfarë mënyrë, u drejtohet përfaqësuesve të tyre në qeveri.

Radio Evropa e Lirë: Nëse kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë, çfarë parashikoni ju? Flitet se shqiptarët dhe maqedonasit në masë të madhe kanë ruajtur qetësinë, janë të vetëpërmbajtur. A është vërtet një atmosferë e tillë?

Lubomir Fërçkoski: Po, kjo është e saktë. Asnjë parti politike shqiptare, as banorët e Kumanovës nuk duan që kjo të eskalojë. Mirëpo, këto banda do të konsiderohen si të mundura dhe ato kanë paralajmëruar për incidente të tjera. Andaj, nuk është e mundur që të përjashtohen incidentet. Në anën tjetër, ajo çfarë është e rrezikshme, është loja e VMRO-së, mobilizimi i maqedonasve kundër shqiptarëve, si mënyrë e mbijetesës së tyre në pushtet. Kjo është kartë e rrezikshme. Qeveria akuzon opozitën, akuzon të huajt për destabilizim. Deklarata e presidentit tonë të ashtuquajtur është se opozita, BE-ja dhe NATO janë fajtorë për krizën në Maqedoni. Mirëpo, besoj se nuk do t’ia dalin.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që dhuna të përhapet në rajon, në vendet fqinje: Serbi, Kosovë?

Lubomir Fërçkoski: Jo, nuk besoj. Këto do të mbeten incidente të Maqedonisë. Opozita ka paralajmëruar protestë të madhe më 17 maj. Opozita e Maqedonisë ka dashur që së bashku me shqiptarët të protestojë kundër qeverisë. Qeveria po punon që të thyejë këtë opozitë të përbashkët të qytetarëve maqedonas dhe shqiptarë. Kjo më bën të zemëruar.

MEDIAT E SERBISË – NESËR FILLON LUFTA E VËRTETË NË MAQEDONI

VOAL – BEOGRAD – Gazetat kryesore të Beogradit sot në faqet e para të tyre janë marrë me atë që ndodhi në Kumanovë, duke mëtuar se kanë informacione që lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë më 12 maj (nesër) dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gazeta serbe ‘Kurir’, e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret (BIA), në ballinën e saj shkruan se ‘Lufta e vërtetë fillon më 12 maj’. Ajo i referohet burimeve të saj dhe në deklaratat publike të saj dhe në në deklaratat publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që veten po e quajnë UÇK se lufta e vëtetë e cila ka për qëllim krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon nesër.

Ndërsa gazeta tjetër ‘Informer’, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovëkëtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit, i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore, transmeton lajmi.net.
Kjo gazetë duke iu referuar burimeve diplomatike shkruan se zyrtarët e inteligjencës amerikane u kanë dhënë sinjal pjesëtarëve të UÇKsë për të filluar sulmet.

‘Ky sulm ishte mesazh që kishte për qëllim t’i dërgohej kryeministrit maqedonas Gruevski dhe homologut të tij serb Vuçiç. Mos harroni se në ditën e sulmit në Maqedoni, në Moskë ushtria serbe marshoi në paradë ushtarake së bashku me rusët,” citon kjo gazetë një prej ambasadorëve të Serbisë, të cilit nuk ia përmend emrin.

MAQEDONIA FSHIN NGA EVIDENCA MBI 200 MIJË SHQIPTARË Nga SHPËTIM POLLOZHANI*

Derisa maqedonasit prodhojnë mbi 100 mijë letranjoftimi fantome (sipas bombave të fundit të kryetarit rë opozitës) dhe shfrytëzojnë mbi 200 mijë votues fiktivë në zgjedhje, përfaqësuesit tanë në Parlament rrahin ujë në havan. Në Parlament ka mbëri një ligj, me të cilin, të gjithë qytetarët që janë mbi tre muaj jashtë vendit, fshihen nga Lista e zgjedhësve, kurse të gjithë ata qytetarë që jetojnë jashtë vendit mbi një vjet, fshihen nuk quhem më shtetas të Maqedonisë. Pavarësisht pronave që kanë, për të cilat paguajnë taksa dhe tatime.

Këtë propozim ligj, gjoja e pengon partia shqiptare në pushtet. Tashti paraqitet e gjallë edhe partia «opozitare» e Menduh Thaçit. Që të dyja deklarojnë se, do ta bllokojnë këtë ligj në Parlament pasi duhet të praktikohet Parimi Badinterit, sipas të cilit ky lloj ligji duhet të votohet edhe nga më shumë se gjysma e deputetëve shqiptarë. Të gjithë deputetët shqiptarë ngrejnë pluhur pasi, ky ligj i ka kaluar të gjitha fazat e parapërgatitjes së ligjeve. Propozimligji ka kaluar në Qeveri dhe në Komisionin për Sistem Politik, i cili është organ i Parlamentit. Ku ishin këta «patriot» derisa Propozim ligji ishte në procedure? Përse që atëherë nuk e informuan opinionin shqiptar, i cili duhej që mospajtimin e vet ta shprehë edhe në rrugë? Të gjithë ligjet antishqiptare që miratohen në Parlamentin e vendit, populli shqiptar i kupton pasi ato të dalin në seancë plenare. Të gjitha partitë maqedonase, mospajtimin e vet me politikën e pushtetit e shprehin në rrugë, si një mjet shumë i fuqishëm i demokracisë parlamentare.

Maqedonasit, pothuajse çdo ditë janë në rrugë. Partitë shqiptare dhe populli shqiptar i tremben rrugës. I tremben njëlloj sikurse dreqi temjanit. Shqiptarët e ngratë mendojnë se një parti politike e keqe mundet të rrëzohet me krijimin e një partie tjetër. Këto parti politike nuk mundet të rrëzohen duke krijuar parti të reja politike. Këta dy parti (BDI-PDSH) mundet të rrëzohen vetëm pasi të jenë rrëzuar shërbimet sekrete të vendit.
Ligji i ri për kartat e identitetit nuk do të kalojë në parlament por, do të kalojë mashtrimi i rradhës i përfaqsuesve, «tanë» se ata po i bllokojnë ligjet antishqiptare. Ky është një pazar i ri dhe turpshëm i Ali Ahmetit, i njëjtë me pazarin e kishës në Kalanë e Shkupit. Ligjin për Branitelat… Ndërtimin e kishës në Kalanë e Shkupit e «pengoi» partia e Ahmetit, edhe pse çështja e ndërtimit të asaj kishe kishte kaluar të gjitha procedurat në kohën kur PDSH ishte në pushtet. Pengimi i ndërtimit të kishës në Kala, ishte një marëveshje BDI-VMRO. Ti bën sikur ndërton, kurse unë do të bëj sikur të pengoj. Ndërtimi i Kishës u «ndërpre». Të dyja partitë dolën të fituara, vetëm populli ngeli i humbur. VMRO fitoi përpara elektoratit të vetë me arsyetimin se po e ndërtonte kishën, mirëpo shqiptarët e këqinj po më pengojnë. «Fitoi» edhe Ahmeti duke i thënë elektoratit të vetë: «A jeni duke parë? Ne jemi të fuqishëm, ne i mbrojmë interesat e shqiptarëve.» Dhe si rasti i kishës në Kala, janë edhe mbi dhjetë raste të tjerë të mashtrimit të qytetarëve.

«Humbja» e tre deputetëve shqiptarë në diasporë, nuk ishte dështim i shqiptarëve që jetojnë në Europë, Amerikë dhe në Australi. Humbja e tre deputetëve ishte pjesë e pazarit të Aliu Ahmetit, për t’u futur në grazhdin e turpshëm të Qeverisë pa asnjë kusht.
Në të ashtuquajturat bomba të kryetarit të opozitës, Zaev, nuk ngacmohet aspak partia e Ahmetit. Nuk del në shesh asnjë e dhënë komprometuese për të, edhe pse mund të jenë qindra të tilla. Zaev do ta mbrojë Ali Ahmetin deri në pikën e fundit, pasi partner më të dëgjeshëm, më të shërbyeshëm dhe më servil nuk do të mund të gjejë. Kryetarit të opozitës mqaedonase i nevojitet një partner shqiptar që, përveç të qenit në Qeveri, nuk kërkon asgjë dhe, për këtë Ali Ahmeti është i përkryer.

Në këto momente, kur Gruevski ka rënë në qarkun e përgjimeve të mbi 25 mijë qytetarëve – e kanë zënë me presh në dorë edhe Ali Ahmetin duke përsëritur fjalët NATO dhe BE, që ma kujton atë somnabulistin, i cili sheh nga hëna dhe, nuk thotë asgjë tjetër vetëmse «Hëna..hëna..hëna…», apo një të pirë, i cili vetëm mërmërit dhe rrotullohet rreth një bendere.

Për fat të keq shqiptarët janë duke pritur shumë nga «bombat» e Zaevit. Do të dëshpërohen shumë, kur do të shohin se ato nuk janë kurgjë tjetër, përveçse, fushqeta (fishekzjarre). Të mos harrojmë se ish kryetari i partisë së Zaevit, Cërvenkovski, u dhuroi nga një revolver Colt, të gjithë atyre forcave peciale, të cilët i masakruam pesë qytetarë të pafajshëm gjatë protestave të Gostivarit dhe, gjatë arrestimit të Rufi Osmani në vitin 1998. Të mos harojmë, pasi, si duket, jemi harrues të mëdhenj dhe, ky është shkaku që ne po na përsëritet historia, herë si tragjedi e herë si farsë…

Vetëm rinia në rrugë mundet ta rrëzojë këtë klasë të mykur e të korruptuar politike – në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shqiptarët, gjithandej ku janë, duhet që këtë pranverë ta kenë pranverën e rilindjes. Politika e Berishës, Nanos, Ramës, Thaçëve e Alive, i dëboi rrugëve të botës mbi një million e gjysmë shqiptarë. Thaçi i Kosovës po i dëbon me shumicë, nga 50 mijë në javë. Aliu është duke e zgjidhur problemin me shqiptarët. Do ta zgjidhë në atë mënyrë që një ditë shqiptarët nuk do të jenë më problem. Në zgjedhjet e ardhshme lokale, shqiptarët do ta kenë problem të madh që prefekti i Strugës dhe i Kërçovës të jenë shqiptarë. Strategjia e mësimit të integruar është duke na e futur ujin nën rrogoz, njëlloj sikurse dikur në komunizëm.

Në të gjithë këtë katrahurë politike ka një gjë të mirë: Të gjithë e dimë se nuk jemi mirë. Kur një i sëmurë e din se e ka një problem, ai e gjen një çare. Populli ynë ka djem që i dalin zot atdheut, si gjithnjë kur e ka dashur historia.

*Autori është kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Maqedoni

TJETËR BETEJË SLLAVO-SHQIPTARE! Ç’ROL LUAN RUSIA? Nga BORIS KALNOKY, Die Welt

Nga përplasjet me armë mes policisë dhe luftëtarëve guerilas në veri të Maqedonisë kanë vdekur rreth 40 persona. Rrezikon të ketë një tjetër konflikt mes sllavëve dhe shqiptarëve- si në vitin 2001. Një rol këtu luan edhe Rusia

Pas luftimeve në fundjavë mes forcave të sigurisë maqedonase dhe shqiptarëve të armatosur, qarqet e sigurisë në Kosovë presin një konflikt më të gjatë dhe më të madh në vendin fqinj- nëse liderët e rajonit nuk mblidhen menjëherë për të gjetur një zgjidhje politike, tha një burim i mirëinformuar në kryeqytetin kosovar, Prishtinë.

Luftimet në Kumanovë kanë sjellë rreth 40 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Shumica e viktimave ishte nga njësiti “Tigri” i Ministrisë së Brendshme.

Sipas të dhënave nga njohës të mirë të situatës në Prishtinë, shqiptarët e kapur nga njësitë speciale maqedonase janë keqtrajtuar rëndë në qeli. Disa prej tyre dhe janë të plagosur rëndë. Edhe civilë janë arrestuar, mes tyre një familje me tre fëmijë.

Që në vitin 2001 ka pasur një konflikt të armatosur mes shqiptarëve dhe sllavëve të Maqedonisë, me 200 viktima dhe rreth 1 mijë të plagosur. Konflikti përfundoi me një marrëveshje paqeje në Ohër. Udhëheqja maqedonase premtoi më shumë të drejta kolektive për shqiptarët. Rreth një e treta e popullsisë në Maqedoni janë shqiptarë etnikë, të cilët jetojnë pranë kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë.

Qeveria në Shkup bëri të ditur të dielën se një pjesë e luftëtarëve shqiptarë kanë ardhur nga një vend fqinj- duke nënkuptuar Kosovën.

Këtë pretendim e kanë rrëzuar autoritetet në Prishtinë.

Një burim nga qarqe të sigurisë në Prishtinë tha për gazetën Welt se mund të ketë edhe kosovarë të implikuar në luftime. Edhe në vitin 2001, një pjesë nga klani kosovar ishte pjesë e luftimeve.

“Ka një lidhje më të ngushtë mes nesh dhe shqiptarëve të Maqedonisë, shumë më e ngushtë se mes atyre dhe Shqipërisë vetë,” tha ky burim.

Edhe pretendimet e Shkupit se luftëtarët shqiptarë duan një konflikt të ri, ka gjasa të jetë i vërtetë.

“Duket kështu, sikur një pjesë e shqiptarëve, që sulmuan me armë në vitin 2001, duan ta bëjnë sërish këtë, për shkak se qeveria në Shkup nuk ka zbatuar Marrëveshjen e Ohrit”.

Konflikti mund të zgjerohet nëse nuk ndërhyjnë qeveritë e rajonit, por edhe SHBA dhe BE.

Qeveria e Maqedonisë është nën presion të brendshëm politik prej muajsh, pasi ka përgjuar mbi 20 mijë persona, mes tyre politikanë dhe gazetarë. Prej javësh në vend ka protesta masive.

Mundet që aktivistët shqiptarë e kanë zgjedhur këtë moment dobësie për të nisur një konflikt. Por është e mundur edhe që qeveria ka vendosur të shpërthejë këtë konflikt, duke devijuar vëmendjen nga problemet e saj të brendshme. Opozita ka deklaruar se do vazhdojë protestat deri në rrëzimin e Gruevskit.

E gjitha kjo ka shkaktuar edhe valë në politikën e jashtme. Qeveria ruse mbështet Gruevskin dhe ka dënuar betejën dhe protestat ndaj tij. Ministria e Jashtme foli qartë për një përpjekje të qarqeve perëndimore për të destabilizuar Maqedoninë.

Kosova dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe po përpiqen për një integrim të shpejtë dhe të plotë në BE- ndërsa Serbia, ish- kundërshtare e luftës në Kosovë- ka po ashtu simpatinë e Moskës.

Nëse nuk ka një zgjidhje të shpejtë politike, qarqet e sigurisë në Prishtinë shohin se shteti maqedonas do jetë në rrezik të madh. Ai është vendi më i paqendrueshëm në Europë, pa një ushtri të vërtetë, me vetëm dy milionë banorë, por me një pakicë të madhe shqiptare. Bullgaria po ashtu pretendon se maqedonasit janë bullgarë në thelb. Edhe Ministria e Jashtme në Sofje ka bërë thirrje për një hetim të plotë të ngjarjeve.

Serbia i sheh maqedonasit si serbë dhe ka pozicionuar ushtrinë në kufirin me Maqedoninë. Greqia e konsideron emrin Maqedoni si grek. Pastaj janë shqiptarët që ëndërrojnë një ndryshim kufijsh- në fakt ëndërrojnë një Shqipëri të Madhe- atdheun e tyre me Maqedoninë verilindore dhe Kosovën si pjesë.

MEDIAT BOTËRORE – NGJARJET NË KUMANOVË PËR SHKAK TË KRIZËS POLITIKE

VOAL – Mediet ndërkombëtare janë përgjithësisht të një linje kur i referohen dhunës së përshkallëzuar në Maqedoni, duke bërë fajtore krizën politike që ka përfshirë vendin.

Ato i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë situatës së krijuar atje, duke e cilësuar si një përleshje ndërmjet një grupi të armatosur dhe policisë e ndërsa disa media të tjera i kanë cilësuar si ‘aktivistë terroristë’, ashtu sikurse ministrja e Brendshme e Maqedonisë, Jankullovska.

Prestigjiozja “Washington Post” shkruan se aktet kriminale të Kumanovës, përveçse kanë alarmuar Maqedoninë, kanë rritur edhe shqetësimin për destabilitet në rajonin e Ballkanit.

Skenari i një krize të madhe në Maqedoni ishte parashikuar deri diku nga “New York Times”, e cila i ka dhënë tepër peshë edhe më herët aferës së përgjimeve.

Në një artikull tjetër të saj “New York Times” shkruan se Maqedonia ka bërë hapa prapa, duke iu referuar BE-së, e cila vitin e kaluar ka shprehur shqetësime serioze në lidhje me politizimin në rritje të institucioneve shtetërore dhe kontrollit të qeverisë mbi mediet. Prestigjiozja shkruan se Unioni duhet të ishte treguar më i ashpër me qeverinë e Shkupit, transmeton TCH. Sipas saj, duheshin qartësuar gjërat se Maqedonia nuk ka një demokraci funksionale dhe se autoritetet e bllokut 28 vendesh duhet të bashkëpunojnë më tepër me institucionet shtetërore, me qëllim që të sigurojnë një hetim të pavarur të akuzave mbi çështjen e përgjimeve. “New York Times” e mbyll duke thënë se kriza që ka kapluar vendin është një dështim i Europës që duartrokiti aq shumë nga Maqedonia më herët.

Ndërkohë që buja e dhunës në Maqedoni ka shkuar deri në Australinë e largët, ku një media vendase shkruan se shumë njerëz në Maqedoni, pavarësisht nga përkatësia etnike, janë të mërzitur me ritmin e ngadaltë të integrimit me Perëndimin, duke u përballur kështu edhe me një krizë të madhe ekonomike, si dhe të një papunësie që kap shifrën e 28 %. Po ashtu, liderët perëndimorë janë alarmuar gjithnjë e më shumë për atë që e cilësojnë si një rritje të autoritarizmit në Maqedoni.

HOMOLOGU BULLGAR E KËSHILLON GRUEVSKIN TË JAPË DORËHEQJE

VOAL – SOFJE – Kryeministri bullgar Boyko Borisov e këshillon kolegun e vet maqedonas Nikolla Gruevski që të japë dorëheqje, në mënyrë që të pushojnë protestat dhe përçarjet në vend, shkruan gazeta bullgare “24 Çasa”.

“Unë kam dhënë shembull se si e bën këtë një kryeministër nëse nuk e ka besimin për ndonjë arsye. Pastaj populli do ta kthejë besimin”, ka deklaruar Borisovi, transmeton kp, i cili në mandatin e vet të parë dha dorëheqje pas protestave për shkak të çmimeve të larta të gazit.

Ai ka shfaqur shpresën se situata në Maqedoni do të vihet nën kontroll dhe se shteti do të rregullohet.

“Maqedonia është një vend shumë i rëndësishëm për ne dhe shërbimet në çdo moment më informojnë se si po zhvillohet situata”, ka thënë mbrëmë Borisovi, duke vlerësuar se viktimat që ranë në Kumanovë janë pasojë e përçarjeve dhe problemeve në Maqedoni.


Send this to a friend