VOAL

VOAL

EKSPERTËT – KRIZA POLITIKE E PARALIZON EKONOMINË E MAQEDONISË

Ekspertët e ekonomisë të shqetësuar nga pasojat e krizës në Maqedoni. Gjendja e pasigurisë ka frenuar investitorët dhe bizneset po hasin në mungesën e qarkullimit të kapitalit si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik.

Gjendja e rëndë politike në Maqedoni po influencon negativisht ekonominë e veçanërisht investimet e huaja dhe vendase në sektorin e turzimit. Po ashtu për shkaqe sigurie rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve gjatë periudhë së verës në atdhe, vë në dukje Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperendimore OEMVP, duke analizar ndikimin e krizës politike në ekonominë e Maqedonisë. “Gjendja e rëndë politike në vend, ka ndikim negativ. Rrezikohet dhe kthimi i mërgimtarëve tanë në periudhën e verës, e që janë stimul i veçantë për rritjen e konsumit të përgjithshëm në Maqedoni, si dhe në mënyrë shtesë dhe rreziku nga zvogëlimi i depozitave të tyre, që në masë të madhe kontribojnë për stabilitetin makroekonomik të vendit dhe sigurojnë stabilitet të një pjesë të rezervave devizore”, vlerëson Menderes Kuçi.

Vazhdimi i krizës politike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit, e sidomos në investimet e huaja.“Pasojat e gjithë kësaj do t’i bartin kompanitë dhe qytetarët, ndërsa qeveria këtë do ta ndjejë pasi arka shtetërore do të jetë e zbrazur, indikacione të cilat tashmë dhe kanë filluar të ndjehen. Vazhdimi i krizës politiko-ekonomike do t’i zbeh mundësitë për ta mbrojtur Maqedoninë nga falimentimi”, thotë kryetari i OEMVP-së, Menderes Kuçi

Përfaqësuesit e odave ekonomike që përfaqësojmë interesin e komunitetit të biznesit, kanë paralajmëruar iniciativa të përbashkëta, të cilat do t’i dorëzohen qeverisë në drejtim të stabilizimit dhe normalizimit të krizës politike dhe ekonomike në vend.

Biznesmenët kërkojnë ndihmë

Kriza politike po reflektohet negativisht në sferën e ekonomisë, ndërsa pasojat më së shumti po i ndjejnë kompanitë e mëdha, por pa anashkaluar edhe konsumatorët e thjeshtë, thonë biznesmenët, duke kërkuar siguri politike që të mund të realizojnë parashikimet e tyre investuese në vend.“Kriza politike para së gjithash po ndihet tek oligarkët, apo tek kompanitë e mëdha ku ka ngecje në qarkullimin e kapitalit. Ngecjet në zhvillimin ekonomik po i ndiejnë edhe konsumatorët e thjeshtë, por edhe ndërmarrjet e vogla pasi në situatën e krijuar kemi ulje të kërkesave dhe rritje të shpenzimeve“, thotë biznesmeni Zore Temelkovski.

Ministri i financave, Zoran Stavreski, pranon se biznesmenëve u nevojitet stabilitet i qëndrueshëm që të mund të realizojnë projektet e planifikuara. Stavreski vlerëson se një zgjidhje e krizës politike do të ishte e mirëseradhur për bizneset vendase, por edhe për kompanitë e tjera që hezitojnë për të investuar në Maqedoni.

“Pres që rezultatet në ekonomi tani për tani nuk do të përkeqësohen, por gjithçka varet nga ajo se sa shpejtë do të tejkalohet kriza politike. Vlerësoj se është mirë që të dilet nga kjo situatë dhe bizneset të fillojnë me realizimin e parashikimeve të tyre në ekonomi“, thotë Ministri i financave, Zoran Stavreski.

Ekspertët e ekonomisë të shqetësuar nga pasojat e krizës

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Shkupit, Zoran Ivanovski, thotë se për shkak të uljes së aktiviteteve ekonomike si pasojë e krizës politike, është reale që të pritet rritja e deficiteti buxhetor, apo të mos realizohet mbushja e buxhetit sipas parashikimeve të qeverisë.“Vlerësoj se nuk do të ketë ndryshime të theksuara sa i përket politikës ekonomike në krahasim me periudhën e deritanishme. Konsideroj se është reale që të presim rritje të deficitit buxhetor“, thotë Ivanovski.

Sipas njohësit të çështjeve ekonomike Visar Ademi kriza ekonomike do të manifestohet në dy aspekte, e para duke e ulur fuqinë blerëse të qytetarëve dhe e dyta duke ngrirë investimet e huaja në vend.“Investitorët e brendshëm duke e pasur të ulur konsumin e brendshëm do të kenë shumë më pak para në dorë që të investojnë tek kapacitetet ekzistuese të kompanive të tyre dhe do të ketë shumë më pak vende të reja pune. Kjo do të ndikojë shumë ndjeshëm në ekonomi dhe mendoj se do të ketë një lloj krize ekonomike që do të reflektohet pas pushimeve verore”, thotë Visar Ademi.

Eksperti Zoran Vitanov thotë se tanimë është i dukshëm ndikimi i krizës politike në ekonomi përmes anulimit të marrëveshjeve dhe bllokimit të investimeve nga jashtë. “Prodhimet vendase kanë mbetur të ngujuara në tregun e brendshëm. Blerësit e prodhimeve tona, të njëtet produkte i marin nga shtetet e tjera, sepse nuk kanë guxim të rezikojnë dhe të presin se çka po ndodh në Maqedoni “, deklaron Zoran Vitanov.

Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë në muajin shkurt të këtij viti janë regjistruar vetëm 12.6 milionë Euro investime të huaja, investimet e huaja mesatarisht kanë qenë mbi 30 milionë Euro. dw

ZAEV – FLAMURIN SHQIPTAR DO TA VENDOS TE SELIA E LSDM-së

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaevi në një intervistë për emisionin ”Jeta në Kosovë”, ka thënë se flamuri shqiptar do të jetë prezent në selinë e LSDM-së, kur ta kërkojnë anëtarët shqiptarë.

“Flamuri shqiptar do të jetë këtu në selinë e LSDM-së, kur të na kërkojnë anëtarët shqiptarë”, tha Zaev.

Ai më tej tha se shqiptarët duhet ta ndjejnë veten si të barabartë në Maqedoni dhe duhet së bashku të punojmë për një ardhme më të mirë./Alsat/

BEQIRI – SHKELJE BRUTALE TË LIGJEVE NDAJ GRUPIT TË PARABURGOSUR TË KUMANOVËS

Arrestimi i grupit të armatosur në Kumanovë ka shtuar zërat për shkelje ligjore, dyshime për torturë dhe veprime tjera antiligjore.

Prof.dr. Mitasin Beqiri, profesor universitar i kriminologjisë dhe penologjisë dhe ish-drejtor i përgjithshëm i Burgjeve në Maqedoni përgjigjet në INA mbi procedurat dhe të vërtetën se çfarë kanë ndodhur me grupin e Kumanovës, pas shqetësimeve të avokatëve për tortura, brutalitet dhe shkelje ligjore gjatë procedurave nga privimi i tyre.

Ngjarja me grupin e dorëzuar në rastin e Kumanovës, ka nxitur shumë zëra dhe dyshime për shkelje ligjore dhe të procedurave, dyshime për torturim dhe akte tjera antiligjore. Çfarë mund të na thoni në këtë drejtim se si është trajtuar sipas jush ky rast?

Beqiri: Sipas analizave të bëra nga ajo që publikohet dhe shqetësimet e shprehura nga avokatët mbrojtës dhe Avokati i Popullit, mund të them se nuk janë respektuar ligjet dhe ka shkelje të mëdha ligjore dhe të procedurave.
Është e habitshme se si nuk respektohet imuniteti i ambasadorit që ka kërkuar vizitë dhe që nuk i është dhënë leje. Familjarët kanë qëndruar me shumë vuajtje, nënçmime para dyerve të burgut të Shutkës dhe një pjesë e tyre mezi kanë kryer vizita e shkurtëra. Kjo u pa edhe në fotot dhe deklaratat e familjarëve. Personat e privuar janë rrahur prej Kumanove deri në Shkup dhe kjo shihet në pamjet e MPB-së. Kjo ka ndodhur edhe kur kanë shkuar në pyetje tek gjykatësi i procedurës paraprake. Nga vendi i arrestimit deri tek gjykatësi personat e privuar mbahen në stacion policor deri në 72 orë. Kjo është faza më e errët e mbajtjes së personave të privuar në stacionet policore. Këtu rrihen, maltretohen, nënçmohen dhe pësojnë të zezat e ullirit. Më pas pason dërgimi tek gjykatësi hetues, i cili ka për detyrë që në ate gjendje të rrahur dhe maltretuar, të cakton masën e shërimit të detyrueshëm në spital e jo masën e paraburgimit, siç ka ndodhur me këtë grup. Me këtë duhet të nxjerrim në pah se organet policore vihen në pozitë mbi prokurorinë dhe gjykatën, ndërsa në fakt duhet të jenë në shërbim të këtyre institucioneve.
Gjykatësi i procedurës paraprake me kryetarin e Gjyqit Themelor Shkupi 1, e kanë për obligim që të shkojnë në paraburgim ti shohin personat e paraburgosur.
Në këtë fazë, personat e privuar kanë të drejtë t’i shohin përfaqësuesi i ambasadës së vendit përkatës, Kryqi i Kuq Ndërkombëtarë, Komiteti për Torturë dhe Sjellje çnjerëzore dhe nëse shihet se është tejkalu sjellja e organeve të rendit duhet të merren masa ndaj policëve përgjegjës, por edhe gjykatësit të procedurës paraprake, se pse ka lejuar këtë gjendje të burgosurëve deri në 11 herë në alivanosje dhe me probleme shëndetësore.

Pra ju përmendni këto shkelje dhe se shkelësit e ligjit tashmë dihen. Por a është koha që për këtë dikush të bartë përgjegjësi, sepse këto praktika po përsëriten ?

Beqiri: Po sigurisht se kjo mund të identifikohet shumë lehtë nga organet e rendit, duke u ditur fillimisht se kush ka qenë në operacion. Edhe gjykatësit që kanë marrë në pyetje në këtë gjendje dhe të marrin masa. Andaj apeloj që kjo të zbardhet dhe pikërisht hetimi i gjërë që po kërkohet sidomos nga faktori ndërkombëtar duhet të përfshijë edhe këtë pjesë më të errët, e cila është aplikuar dhe po aplikohet ashpër në Maqedoni, edhe përkundër pretendimeve për anëtarësim në NATO dhe BE.

Ditëve të fundit është hasur edhe heshtja e ministrit të Drejtësisë, Adnan Jashari. Ndërsa si e komentoni deklaratat e Avokatit të Popullit ?

Beqiri: Ministri i Drejtësisë nga ajo çka po flasim duhet të ndërmarrë iniciativë nëpërmjet Këshillit Gjyqësor Republikan të shkarkojë gjykatësit e procedurës paraprake, që u kanë caktu paraburgim personave të rrahur dhe maltretuar. Ndërkohë, duhet shkarkuar drejtoreshën e ekzekutimit të sanksioneve dhe drejtorin e burgut të Shuktës, se pse i kanë pranuar personat në këtë gjendje shëndetësore.

Avokati i Popullit duhet të jetë më zëshëm dhe mos të mbrojë gjykatësit e procedurës paraprake, se janë rrahur ata prej gjyqi deri në burg. Ndoshta janë rrahur edhe në këtë rast, por ata janë rrahur edhe nga Kumanova për në stacionin policor, edhe kur janë dërguar tek gjykatësi, por edhe nga gjykata deri në burgun e Shutkës. Avokati i Popullit duhet qartë ta sqarojë gjendjen faktike që është me të paraburgosurit në burgun e Shutkës. Për këtë ai duhet të përgadis raport për në Parlament dhe jo këtë ta thotë vetëm përmes mediave.

Nuk është mjaft të prononcohet ai se nuk i lejohet vizita. Atëherë shtrohen pyetjet dhe shumë dilema se edhe kësaj radhe kush cilët i rrahin? apo Kush janë të privuar, rrahur, shkallmuar, pra shqiptarët!?.

Pse nuk u jepet leje anëtarëve të familjes për vizitë, pse nuk i lejohet ambasadorit që të vizitojë, pse nuk i jepet leje Avokatit të popullit, pse heshtën Ministri i Drejtësisë. Këto dhe shumë dilema tjera janë shqetësuese për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Maqedoni. Nuk duhet të heshtim, por këto çështje duhet të alarmohen.

Me gjithë këtë po shtohen faktet dhe e vërteta se ky vend nuk respekton ligjet dhe aplikon padrejtësi të mëdha?

Beqiri: Me rastin e fundit të Kumanovës, u pa se ky shtet nuk respekton të drejtat dhe liritë e njeriut. Nuk respektohet demokracia. Rasti i Kumanovës na kujton si rastin e Lubotenit. Kjo tregon se akoma nuk ndryshojnë gjërat këtu në këtë aspekt. Këto i themi që të mos përsëriten më dhe shqiptarët të mos jenë viktima. Këtu kemi të bëjmë me mosrespektim të plotë të standardeve evropiane dhe ligjeve për të drejtat e personave të privuar dhe personave të burgosur. Këto dhe shumë çështje tjera tregojnë gjendjen faktike në Maqedoni.

Pas gjitha këtyre shkeljeve skandaloze të ligjeve në sferën penale dhe kushtetutës, shihet qartë se ky shtet nuk po funksionon. A duhet reviduar disa çështje dhe ngritjen e pozitës dhe rolit shqiptar si faktor i barabartë në Maqedoni?
Beqiri:
Edhe pse ligjet janë mirë, përsëri duhet reviduar, edhe ate shumë prej tyre sepse janë sjellë në mënyrë të njëanshme.

Pikë së pari duhet reviduar Kushtetutën e vendit, për të rregulluar sferën e të drejtave kolektive të shqiptarëve.

Kjo nënkupton një model federalizimi me Parlament dydhomësh, buxhet koncensual, me respektimin e të drejtave kolektive dhe duhet ndryshuar në bindjen dhe psikologjinë e njerëzve, sepse mund të sillen ligje të mira, por nëse ato nuk respektohen apo abuzohen, atëherë kjo nuk ka efekt apo nuk respektohet, duke sjellë njërën palë në pozitë inferiore.

ZIJADIN SELA – TË KRIJOHET BLLOKU SHQIPTAR NË MAQEDONI

Terrori” policor dhe “montimi” i proceseve politike sikurse ai i Kumanovës mund të përsëriten në qytetet e tjera të Maqedonisë, nëse Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë pjesë e Qeverisë Gruevski, ka thënë kryetari i Strugës, njëherësh kryetar i Lëvizjes për reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, Ziadin Sela, në një intervistë për “Kohën Ditore”.

Ai ka kërkuar formimin e bllokut politik shqiptar dhe negocimin e një marrëveshjeje të re në Bruksel me palën maqedonase, pasi, siç ka thënë Sela, Marrëveshja e Ohrit është e dështuar. Sipas tij, shqiptarët kanë fuqinë që nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, ta bojkotojnë sistemin në Maqedoni dhe të protestojnë në rrugë.

Sela, po ashtu, ka kritikuar udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë. Sipas tij, Prishtina dhe Tirana deri tani kanë shërbyer si vend ku udhëheqësit maqedonas kanë larë mëkatet e tyre, pas padrejtësive dhe dhunës që kanë ushtruar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë.

TRUPAT E 9 TË VRARËVE SILLEN NË PRISHTINË NGA KUMANOVA PËR EKZAMINIM TË SËRISHËM

Fotografi nga homazhet për të vrarët në Kumanovë

Trupat e pajetë të 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e armatosur në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj, janë sjellë në Kosovë, në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.

Familjarët e personave të vrarë i kanë marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre nga autoritetet e Maqedonisë rreth orës 3 e 15 , ndërkohë që kortezhi ka hyrë në territorin e Kosovës, në orën 4: 10, përmes pikës kufitare në Han të Elezit.

Shtetasit e Kosovës të identifikuar si të vrarë në incidentin e Kumanovës janë: Xhafer (Hysen) Zymeraj, Beg (Miftar) Rizaj, Mirsad (Osman) Ndrecaj, Valon (Selim) Kabashi, Turgaj (Mehmet) Gashi, Samid (Bajram) Kastrioti, Hysen (Latif) Rushiti, Fatlum (Kadri) Vishesella dhe Arben (Qerim) Rexhaj.

Familjarët që kanë marrë të afërmit e tyre të pajetë në Maqedoni, që nga dita e enjte, gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

Gërxhaliu, menjëherë pas hyrjes së kortezhit në territorin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas procedurave, që i quajiti të zgjatura burokratike nga autoritetet maqedonase, trupat e pa jetë janë identifikuar nga familjarët dhe ata ishin në rrugë drejt morgut të Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë

“Paksa i stërzgjatën procedurat, ndoshta edhe më tepër se që duhet. Por, marrë në përgjithësi që numri ishte prej nëntë personash, secili drejtim i punës priste ta përfundonte punën një sektor, për ta marrë pastaj sektori tjetër. Kjo ishte paksa e mundimshme, mirëpo meqenëse u arrit që familjarët të bëjnë identifikimin e 9 personave, arritëm që t’i marrim në këto orë të vona. Në orën 4 e 10 minuta kemi hyrë në kufi dhe tash jemi rrugës. Po i dërgojmë në morgun e Prishtinës”, tha Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se gjatë pritjes për identifikimin dhe marrjen e trupave të pajetë, kanë pasur mbështetje dhe ndihmesë mjaft të madhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

Gërxhaliu, ka theksuar se vetë familjarët e shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e Kumanovës, kanë insistuar që të përsëritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe sipas tij, një gjë e tillë edhe do të bëhet..

“Po, ata e kanë thënë këtë gjatë gjithë kohës dhe ne kemi qëndruar bashkë më shumë se 12 orë. Ata janë duke ardhur drejt morgut që të bëjnë kërkesat e tyre dhe dëshirojnë që gjithsesi të bëhen ri-autopsitë edhe në departamentin tonë”, ka theksuar Gërxhaliu.

Në anën tjetër, edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, ka bërë thirrje ndaj familjarëve të personave, shtetas të Kosovës, që kanë humbur jetën në incidentin e Kumanovës, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës, që të përsëritet ekzaminimi i trupave të pajetë.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky këshill insiston që trupat e pajetë që janë sjellë nga Maqedonia, të mos varrosen para se t’i nënshtrohen edhe një herë ekspertizës.

“Insistimi ynë është që ka mundësi edhe forenzika, por edhe mjekësia ligjore – në qoftë se është nevoja, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. Vetëm atëherë kur të bëhet një super-ekspertizë dhe të dihen shkaqet e vdekjes, atëherë mund të bëhet varrimi. Në qoftë se e bëjnë varrimin tash, atëherë shumë gjëra do të mbeten mister dhe të pasqaruara”, tha Shala.

Ai ka shtuar se KMDLNJ, insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar.

“Këtu ka shumë gjëra për të cilat mund të dyshohet, sepse dëshmitarët që kanë marrë pjesë në luftime, tregojnë se disa prej tyre kanë qenë të plagosur e pastaj ata figurojnë në listën e të vrarëve. Mjekësia ka shkuar aq larg sa që mund të konstatohet edhe koha, por edhe mënyra e vdekjes”, ka theksuar Shala.

Ndryshe, Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë janë të gatshme në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe se pritet qe ky proces te përfundojë brenda dy apo tre ditësh.

KTHEHEN NË KOSOVË TRUPAT E 9 TË VRARËVE NË KUMANOVË

Morgu në Shkup

Në orën tre të mëngjesit të së premtes, është bërë transferimi nga Morgu i Shkupit për në Kosovë, i trupave të pajetë të 9 shtetasve të Kosovës të vrarë në përleshjen e armatosur më 9 dhe 10 maj në Kumanovë, në Lagjen e Trimave.

Identifikimi I tyre paraprakisht u bë nga ana e të afërmve të tyre, në pranitë ambasadorit të Kosovës në Shkup, Ylber Hysa dhe të drejtorit të Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës Arsim Gërxhaliu.

Ambasadori i Kosovës në Shkup Ylber Hysa të enjten në mbrëmje është shprehur se procedura e identifikimit i trupave të pajetë në morgun e Shkupit nga të afërmit e tyre që ka zgjatur më shumë se 12 orë, ka qenë për arsye të procedurës së komplikuar të mbledhjes së dokumentacionit.

“Po arsyet janë të natyrës teknike. Janë ligjet e vendit (Maqedonisë) të cilat nuk janë dhe aq të thjeshta sepse nuk bëhet fjalë për vdekje të natyrshme por rrethana të tjera. Disa nga dokumentet që është dashur të sigurohen, si certifikata e lindjes të atyre të cilët i identifikojnë kufomatnuk, duhet të jetë më vjetër se gjashtë muaj dhe disa procedura të tjera të cilat varen nga institucionet maqedonase”.

“Siç e shihni, ne po e bëjmë punën tonë në mënyrën më të shpejtë të mundshme dhe presim kjo çështje të kryhet dhe sipas të gjisa gjasave kthimi i trupave do të bëhet sot”, ka deklaruar ambasadori i Kosovës në Maqedoni Ylber Hysa duke bërë të ditur se autoritet maqedonase,autoriteteve të Kosovës dhe familjarëve, të cilëve u kanë dorëzuar dhe raportin e autopsisë të realizuar nga Mjeksia Ligjore e Maqedonisë.

“Ne kemi kërkuar nga autoritetet maqedonase të na dorëzohet raporti i autopsisë dhe kjo na është lejuar, kështu që do ta kemi edhe këtë raport”, ka bërë të ditur zoti Hysa.

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur. rel

PSE NDRYSHOI NUMRI I TË VRARËVE NË KUMANOVË?

 

 

Përleshja e armatosur në Kumanovë la 18 të vrarë, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Fillimisht, autoritetet maqedonase kishin thënë se numri i viktimave është 22, 14 nga të cilët ishin pjesëtarë të vrarë të grupit të armatosur.

Prokuroria Publike e Maqedonisë, për Radion Evropa e Lirë thotë se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 trupa të vrarë, 9 shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Maqedonisë, por ajo nuk e ka komentuar faktin pse është ndryshuar numri i të vrarëve nga radhët e grupit të armatosur, nga 14 në 10.

Nga ana tjetër, Ivo Kotevski nga Ministra e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thotë se infomacioni se kanë mbetur të vrarë 14 pjesëtarë të grupit të armatosur është bazuat në të dhënat e para jozyrtare, të mbledhura nga terreni, nga pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë.

“Informacionet të cilat i plasuam si Ministri e Punëve të Brendshme ishin informacione të cilat ne i morrëm nga terreni, përderisa aksioni ishte ende në rrjedhë, kështu që është e kuptueshme se ndonjë pjesëtar i policisë i ka emëruar dy here trupat e pajetë. Ato [trupat] nuk kanë qenë në një hapësirë të vetme, por kanë qenë në më shumë lokalitete, andaj edhe thamë se këto janë informacionet e para jozyrtare nga terreni”, thotë zoti Kotevski.

Numri prej 22 viktimash gjithsejt, ishte komunikuar më 10 maj nga ana e MPB-së maqedonase, për t’u ndryshuar me datën 18 maj nga ana e prokurorisë, në numrin e përgjithshëm prej 18 viktimash.

Njohësit e sistemit të sigurisë thonë se gabimi është bërë për qëllime populliste dhe jo mungesë informacioni.

“Nuk bëhet fjalë për gabim, por për atë se politikanë të caktuar dëshiruan që në frymën populliste të tregojnë se forcat policore maqedonase kanë kryer një operacion të suksesshëm, me atë që kanë asgjësuar një numër shumë më të madh të terroristëve, kundrejt humbjeve në njërëz që kanë pësuar forcat e njësitit special të policisë maqedonase”.

“Pra, thjesht ishte popullizëm nga ana e autoriteteve maqedonase, ajo më pas krijoi shumë huti, si në opinion ashtu edhe gjatë komunikimit me autoritetet e Republikës së Kosovës”, thekson Vlladimir Pivovarov, ish zyrtar i lartë i shërbimeve të zbulimit në Maqedoni.

Pivovarov thotë se procedura e stërzgjatur e verifikimit dhe plasimit të informacioneve në opinion reth më shumë çështjeve që lidhen me rastin e Kumanovës, paraqet një sinjal të qartë se bashkëpunimi i ministrive të brendshme në Maqedoni dhe Kosovë nuk është në nivel të kënaqshëm, me gjithë prononcimet e udhëheqësve të tyre se kanë një bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë. rel

EKSPERTËT PERËNDIMORË – SITUATA POLITIKE NË MAQEDONI

 

Dhjetra mijëra banorë në Maqedoni kanë protestuar këtë javë për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë, ndërkohë që kjo e fundit organizoi një tubim në mbështetje të saj me pjesëmarrjen e po dhjetra mijëra vetëve.  Shtimi i tensioneve politike është shkaktuar pjesërisht edhe nga pakënaqësia e vendeve të Ballkanit me periudhën e zgjatur drejt një anëtarësimi të mundshëm në Bashkimin Evropian.  Maqedonia ka edhe problemin e shtuar me Greqinë që këmbëngul për ndryshimin e emrit të këtij vendi.

 

Ekspertët thonë se kryeministri  Nikolla Gruevski  është bërë gjithnjë e më autokratik pas rizgjedhjes disa herë në këtë post,  i ndihmuar pjesërisht prej imponimit nga BE-ja të një proçesi jashtëzakonisht të ngadaltë për Maqedoninë dhe vendet e tjera të Ballkanit drejt anëtarësimit.

James Ker-Lindsay është me Universitetin  “London School of Economics”:

“Qeveria nuk është përpjekur të bëjë ndryshime pasi nuk ka qënë e detyruar të kryejë reformat e duhura për ta afruar vendin  më shumë NATO-n dhe BE-në  dhe madje tashmë po lëviz sërish kundër idesë së një anëtarësimi në BE. Mendoj se kjo e bën edhe më  të rrezikshme.”

Ish-përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Maqedoni, Erwan Fouere, është edhe më kritik ndaj qeverisë:

“Regjimi aktual ka humbur të gjithë kredibilitetin që kishte dhe legjitimitetin për të qenë në pushtet. Mendoj se e vetmja mënyrë që mund të rikthehet një proçes paqësor është me dorëheqjen e qeverisë dhe me hapjen e rrugës për një proçes tranzicioni.”

Disa prej protestuesve opozitarë kanë ngritur tenda për të vazhduar protestën.  Por, shanset e tyre për t’ia dalë me sukses nuk janë të qarta. Zoti Ker-Lindsay thotë se nuk kanë gjasa të tërheqin vëmendjen që tërhoqën protestuesit në Ukrainë vitin e kaluar.

“Vendi nuk udhëton në atë vijë të ndërmjetme midis Lindjes dhe Perëndimit, si Ukraina.”

Megjithatë, ai thotë se politikat e BE-së kanë krijuar një hapësirë që Rusia të mundohet të  shtojë ndikimin e saj në rajon.

Erwan Fouere nuk ka një shqetësim të ngjashëm:

“Nuk ka asnjë interes strategjik për Rusinë në këtë mes, përveçse të bezdisë Perëndimin dhe të thotë se Perëndimi nuk po përmbush siç duhet angazhimet ndaj Ballkanit.”

Angazhimi është për të sjellë vendet e Ballkanit në Bashkimin Evropian. Vonesat kanë të bëjnë me nevojën për reforma dhe shqetësimet për emigracion drejt vende aktuale të BE-së.

Zoti Ker-Lindsay thotë se BE-ja duhet të balancojë shqetësimet e saj me një mesazh të fortë që do të garantojë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit, megjithëse nuk ka gjasa që ky anëtarësim të ndodhë edhe për disa vite të tjera. za

BEG RIZA DHE SHOKËT E TIJ LYPIN DREJTËSI

Beg Riza dhe shokët e tij lypin drejtësi, kësaj here nuk do të shkojë si herët e tjera, vrit shqiptarë dhe akuzoi pastaj shqiptarët si terroristë!

Çun Lajçi me poezi për komandantin Beg Riza

Çun Lajçi me poezi për komandantin Beg Riza

Për rënien e komandantit, Beg Rizaj në Kumanovë gjatë përleshjeve mes policisë maqedonase dhe grupit të armatosur, ka shkruar edhe Çun Lajçi.
Ai i ka kushtuar komandantit të rënë një poezi.
Lajçi këtë poezi e ka shkruar në profilin e tij në Facebook.

Ja vargjet e tij:

Rrjedhë lumi
( Beg Rizes)
Mi ktheni rrugët andej
Lumin ma leni të rrjedhë
Zemrës sime pa dallgë,
Ëndërrat e bardha ua le
Juve që ëndërroni lule.
Dallandyshet nëse ikin
Foletë mos ua prishni.
Ju mjaftojnë mbase dy gur
Tri dërrasa e një grusht Dhé
Të ma bëni një shtëpi!

ZAEVI – PARTITË SHQIPTARE BASHKËPUNOJNË ME GRUEVSKIN

 

Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev ka akuzuar partitë shqiptare, BDI-nw qw wshtw në qeveri dhe PDSH-nw opozitare, se që të dyja bashkëpunojnë me kryeministrin Gruevkski.

Në një intervistë që ka dhënë për “Capital”, ai ka thënë se nuk është momenti i duhur që BDI të largohet nga qeveria, pasi përveç që Ali Ahmeti ka frikë nga Gruevski, edhe PDSH është partnere e qeverisë dhe mund të bashkëpunojë për formimin e një qeverie të re.

“Mendoj se për momentin nuk është zgjidhje që BDI-ja ta lëshojë qeverinë. Partia tjetër shqiptare PDSH, është gjithashtu partner i qeverisë. Është fakt se partitë parlamentare të shqiptarëve janë bashkëpunëtore me Gruevskin dhe shohim se si janë të lidhur me Sasho Mijallkovin. Prandajm nga partitë parlamentare shqiptare nuk mund të presim diçka që është në kundërshtim me qeverinë. Kështu që për momentin nuk është zgjidhje dalja e BDI-së nga qeveria, qw nuk do të thotë se në të ardhmen një prej zgjidhjeve të mundshme nuk do të jetë edhe ajo. E di që secili e mban dikë me diçka, në një mënyrë, me kërcënime ose të ngjashme, por nga ajo që e kam si informacion, e di që Ali Ahmeti nuk është i varur nga Gruevski dhe nuk frikësohet nga ai. Kështu që, edhe pse, edhe nga BDI kanë vepra kriminale, vepra jashtëligjore, të cilat do të publikohen, megjithatë ata janë reprezentw të etnisë të dytë më të madhe dhe sigurisht që kjo do t’iu ndikojë në të ardhmen. Ata mund të ndihmojnë me deklarata, me qëndrime, dalje në opinion etj,”, është shprehur Zaev.

Ditë më parë edhe analisti amerikan Daniel Serwer tha se nuk është moment i i duhur që BDI të dalë tani prej qeverie

“Me sa kuptoj unë, edhe nëse Ali Ahmeti do të largohej nga Qeveria, Gruevski përsëri do të kishte mundësinë që të krijojw një shumicë. Dhe, edhe nëse Gruevski bie, ai mund të dalw mirë në zgjedhjet e ardhshme. Atëherë, çfarë arrihet me daljen? Bile mund të rezultojë me hyrjen në Qeveri të një partie tjetër shqiptare. Pa marrë parasysh se sa nuk janë të lumtur me situatën politike, shumica e liderëve do të përpiqen që të përfitojnë, jo të humbasin”, ka thënë Serwer./Alsat-M/

ZIADIN SELA – ALIU TË IKË NGA QEVERIA

Liderët e pozitës dhe opozitës, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev, përfaqësojnë vetëm interesat e maqedonasve, por jo edhe të shqiptarëve. Kjo u pa me rastin e vizitës së tyre të fundit në Bruksel, ku shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar atje. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, njëherësh kryetar i Lëvizjes për reforma në PDSH.

Sipas Selës, Maqedonia aktualisht është në krizën e saj më të thellë politike në 24 vjetët e mëvetësisë së saj. Ai ka shtuar se partia shqiptare në Qeveri, BDI-ja, e cila udhëhiqet nga Ali Ahmeti, urgjentisht duhet të dalë nga koalicioni me partinë e kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, sepse, siç thotë ai, çdo moment që qëndron ajo në ekzekutiv e rrit rrezikun në përpjesëtim të drejtë për procesin e montuar politik të radhës që Qeveria do ta bënte, në mënyrë që të dalë nga skandali i përgjimeve.

KËRKOHET QË TË VRARËT NË KUMANOVË TË PËRCILLEN ME NDERIME USHTARAKE

Kosovarët e vrarë në Kumanovë kanë qenë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ligji obligon që secili veteran të përcillet me nderime ushtarake dhe që shpenzimet e varrimit të tyre të mbulohen nga buxheti i shtetit. Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë (FSK) nuk kanë treguar nëse do të përmbushin këtë obligim.

Megjithëkëtë, varrimi nuk do të bëhet pa ceremoni e pa nderime. Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së për rajonin e Dukagjinit është mobilizuar për të organizuar një ceremoni të përbashkët për të nëntë të vrarët, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por kështu, ka në plan t’ia nisë FSK-së një kërkesë për nderime ushtarake gjatë varrimit. Dhe, nëse do të ketë përgjigje negative, vetë veteranët kanë në plan t’i nxjerrin nga sirtarët uniformat e UÇK-së dhe të ofrojnë nderimet.

“Ne do t’ia bëjmë një kërkesë ushtrisë sonë. Nëse nuk përgjigjet, ne i kemi veteranët që do t’i veshim me uniforma dhe pa nderime nuk do t’i përcjellim”, i ka thënë gazetës Avdyl Mushkolaj, kryetar i Shoqatës për rajonin e Dukagjinit. “Ata që u vranë në Kumanovë, janë veteranë, sepse kanë marrë pjesë në tri luftërat. Do të organizojmë ceremoni të përbashkët, në Prishtinë apo kudo, sepse kanë qenë shokë të një ideali dhe mendoj që duhet organizuar ceremoni e përbashkët” .

MONSTRA QË DUHET VRARË – Nga DRITAN HILA

Takimi i së dielës së fundit ndërmjet Edi Ramës, Ilir Metës dhe përfaqësuesve të partive politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ishte skena e fundit që tregoi mungesën e përgatitjes së palës shqiptare përballë zhvillimeve në vendin fqinj dhe degjenerimit politik që ka arritur faktori shqiptar matanë kufirit. Nuk ndihmuan në riparimin e situatës së rënduar as njohjet e Metës me ngjarjet dhe personazhet e jetës së Maqedonisë, as këshilltarët e importuar nga ish-Jugosllavia të Ramës me analizat edhe më të vonuara se ato të shtypit, e as shërbimi i jashtëm që është larg konceptit të një shërbimi i cili do të ishte faktor në zhvillimet në Maqedoni. Ndërkohë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi janë dy gangsterë politikë. I kanë bërë të gjitha: luftën, trafiqet e njerëzve dhe drogave, eliminimin politik e fizik të kundërshtarëve, bashkëpunimin me të huajt, tradhtimin e bashkëpunëtorëve e të votuesve kur ua ka dashur interesi. Asnjëri prej tyre nuk impresionohet nga prezenca e Ramës apo Metës. Ajo që kanë frikë, është dosja e pisllëqeve të tyre mbi tavolinë, prezenca e një alternative politike që i eliminon politikisht, rreziku i një përplasjeje që i eliminon fizikisht. Dhe të gjitha këto realizohen nga bashkëpunimi ndërinstitucional i shërbimit inteligjent shqiptar, i cili me sa duket duhet shkrirë dhe ristrukturuar i gjithi; shërbimet e informacionit financiar, që te ne nuk ekziston; shërbimi i jashtëm, të cilit nuk i kanë lënë tagër dhe erz. Por, me sa duket, mbi tavolinë ishte vetëm pjata me koran. Por kjo ishte më e pakta. Pyetja që vlen, është se çfarë do të bëhet me shqiptarët e Maqedonisë?

Që shteti ynë nuk ka një platformë për shqiptarët e Maqedonisë, që çështja shqiptare ka kohë që ecën nga fryn era, që përballë fqinjëve tanë të organizuar në institucione dhe me platforma të qarta nacionale ne jemi orkestër që luan me vesh, nuk do mund të kuptohet. Por kjo nuk është më e keqja nëse fillon riformatimi. Kryesorja është të përcaktohet qëllimi. Dhe tashmë pas ngjarjeve të Kumanovës, nuk ka kuptim të flasësh për bashkëjetesë. Aq më shumë kur kjo bëhet me skemat e vjetra të “bashkim-vëllazërimit”. Nuk ka kuptim të humbasësh në qerthullin gazetaresk nëse komandoja shqiptare ishte një “flamur fals” i shërbimit sekret maqedonas, ishin mercenarë të thjeshtë apo idealistë. Ngjarja ishte e fundit në historinë e vrasjeve, shtypjes politike, shpërnguljes masive dhe diskriminimit njëqindvjeçar të shqiptarëve nga maqedonasit. Është humbje kohe të mundohesh të argjinosh një eksperiment unikal si Maqedonia, ndërkohë që pala shqiptare është si peshku pa ujë në atë hapësirë, ndërsa ajo maqedonase si peshkaqeni në akuarium, ku preja e ka të sigurt vdekjen. Nuk ka pasur rezultat teoria e gjoja nacionalistëve shqiptarë që “me shtimin e lartë të popullsisë shqiptare, një ditë do jenë ata që do mbizotërojnë etnikisht”. Ka kaluar çerek shekulli, dhe shqiptarët kanë mbetur po 30% e Maqedonisë, jetojnë në po ato lagje pa infrastrukturë dhe shërbime, janë po aq të shtypur politikisht dhe po humbasin përditë komuna e hapësira që dikur ishin pastërtisht shqiptare. Shteti maqedonas është kujdesur që çorganizimin shqiptar, kolaboracionizmin e elitave të tyre, ta përkthejë në një dominim të maqedonasve edhe aty ku janë pakicë.

Ndërkohë shteti shqiptar, ajo që rëndom quhet Shqipëri, përpara se të jetë një hapësirë territoriale, është menduar nga themeluesit si bërthamë e idesë së bashkimit. Askush prej tyre kur ngriti flamurin në Vlorë, nuk mendonte se do të qeverisnin në gjithë trojet që banoheshin nga shqiptarët në ato mote, ashtu siç e kanë menduar, se më mirë një Shqipëri e vogël që do të shërbente si bërthama koaguluese e Shqipërisë etnike të së ardhmes, se pa atë. Por pasardhësit e tyre ishin mendjengushtë dhe të dështuar në këtë synim. Sot, pas më shumë se një shekulli, duhen platforma të qarta. Dhe duke iu kthyer rastit konkret të Maqedonisë, së pari kërkon një “Road Map”, që fillon nga puna këmbëngulëse ndaj faktorëve ndërkombëtarë vendimmarrës që t’i bindësh se ndarja e Maqedonisë është garanci paqeje afatgjatë në Ballkan. Pastaj, puna diplomatike me fqinjët dhe gjetja e aleancave rajonale, puna bindëse me ta se nga kjo ndarje dhe riformatim nuk ka rreziqe; organizimi i faktorit shqiptar “in loco” që mos të bëhen kashtë e koqe si deri më sot; evidentimin e trojeve shqipfolëse, pasi harta demografike e ofruar nga maqedonasit ka fshirë hapësira të tëra shqiptare në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë. Kush ka qenë në Strugë dhe biseduar me shqiptarët e atjeshëm, e di se aty është qyteti që sipas besimit të tyre ndahet Gegëria (në veri të vijës) me Toskërinë (në jug). E pra, faktori dhe hapësira toske nuk paraqitet fare në hartat maqedonase. Ndërkohë, duhet gjetja e interlokutorëve maqedonas që të jenë të gatshëm për zgjedhje të tillë. Ndaj rreshtimi i shqiptarëve në krah të Zaev apo Gruevskit, të “X”-it apo “Y”-it, ka kuptim për aq sa këta pranojnë ndarjen me bisedime të krijesës së dështuar të quajtur Maqedoni. Mandej duhet evidentimi si banorë të Maqedonisë dhe shqiptarëve që janë në emigracion, të cilët nuk janë në asnjë statistikë, përcaktimin e piketave të qarta se si do të trajtohen minoritetet respektive me ndarjen eventuale, statuset e qyteteve historike për dy popujt, pasuria e trashëguar, dhe shumë faktorë të tjerë.

Shtatëdhjetë e pesë vjet Jugosllavi dhe njëzet e pesë Maqedoni treguan se maqedonas e shqiptarë nuk jetojnë dot bashkë. Ndarja mund të kërkojë dekada, duke kaluar në forma tranzitive. Por, atë që Zoti e bëri të ndarë, robi nuk mund ta bëjë bashkë! Ndaj është më racionale dhe praktike të shkosh në hullinë e gjërave siç i ka bërë natyra sesa të përpiqesh t’i modifikosh ato. Pasi, të modifikosh gjërat, shpesh pjell monstra. Të cilat, sado të dashura të jenë për krijuesit, janë diçka që duhen vrarë. Nuk i shërbejnë askujt.

WALTER KOLBOW – GRUEVSKI PO NXIT KONFLIKTIN ETNIK PËR TA MBAJTUR PUSHTETIN

Ish-sekretari i shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes të Gjermanisë, Walter Kolbow, ka deklaruar se gjendja në Maqedoni lehtë mund të shndërrohet në flakë gjithëpërfshirëse. Po ashtu, tha ky politikan gjerman, ka shenja se pas Ukrainës Rusia po synon të pozicionohet edhe në Maqedoni për të futur një pykë në aleancën perëndimore.

Ashpërsimi i betejës politike në Maqedoni mes pozitës dhe opozitës për shkak të skandaleve të shkaktuara nga qeveria e kryeministrit Nikola Gruevski ka ngjallur shqetësime serioze në mesin e politikanëve gjermanë mbi stabilitetin në Ballkan. Presidenti i shoqatës gjermano-maqedonase dhe ish-sekretar shteti në Ministrinë e Mbrojtjes, Walter Kolbow, ka paralajmëruar në një intervistë me gazetën «Saarbrücker Zeitung» se në Maqedoni ekziston rreziku i një ashpërsimi të dhunshëm të situatës. «Kjo lehtë mund të shndërrohet në flakë gjithëpërfshirëse», tha Kolbow. Ai shtoi se kryeministri Nikola Gruevski po përpiqet të mbajë pushtetin duke nxitur ballafaqimet etnike. Në pyetjen nëse kjo gjendje mund të çojë në një luftë te re në Ballkan, Kolbow tha se rreziku është i madh. «Ky është një fitil që nuk po digjet pa flakë, por po digjet tashmë».

Duke përshkruar përleshjen e armatosur mes forcave maqedonase të sigurisë me një grup sulmuesish shqiptarë në Kumanovë Kolbow tha se shumëçka flet për atë se ky ishte «një aksion i inskenuar nga qeveria kundër gjoja separatistëve shqiptarë, një përpjekje për të ndezur një luftë të vogël për të larguar vëmendjen nga korrupsioni në radhët e veta». Po ashtu, tha ky politikan gjerman, ka shenja se pas Ukrainës Rusia po synon të pozicionohet edhe në Maqedoni për të futur një pykë në aleancën perëndimore. Politika ndërkombëtare duhet të përpiqet të arrijë një zgjidhje. Dorëheqja e Gruevskit dhe zgjedhjet e reja mund të ishin rrugëdalje, tha Kolbow.

LAVROV – PROTESTAT NË MAQEDONI TË ORKESTRUARA NGA JASHTË

 

VOAL – MOSKË – Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë sot se kriza në Maqedoni është orkestruar nga jashtë.

“Kjo vërtetë na alarmon neve”, tha Lavrov dhe ka shtuar se “zhvillimet në Maqedoni janë qartas të kontrolluara nga jashtë”.

Mëtutje, në fjalimin e tij në Këshillin e Federatës, që është Dhoma e Epërme e Parlamentit të Rusisë, zoti Lavrov ka theksuar se zhvillimet janë të lidhura me refuzimin e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, që tu bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Në Shkup të Maqedonisë, afro 150 mbështetës të opozitës, që ende qëndrojnë në një kamp të ngritur afër kryeministrisë, kërkojnë që Gruevski të paraqes dorëheqje, derisa Gruevski dhe lideri i opozitës Zoran Zaev, kanë zhvilluar negociata në Strasburg në përpjekje për zbutjen e krizës.

Dhjetëra mijëra demonstrues kanë marrë pjesë në protestën kundër qeverisë më 17 maj në Shkup, ndërsa një ditë më vonë është mbajtur, po ashtu, një tubim masiv në mbështetje të Gruevskit.

Protestat kundër qeverisë u bënë pas zbulimit të incizimeve telefonike, në të cilat duket se dëgjohen ministrat e Maqedonisë duke përgatitur mashtrim në zgjedhje.


SHQIPËRIA DHE GJERMANIA – THIRRJE PËR TRANSPARENCË PËR KUMANOVËN

 

VOAL – BERLIN – Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Shqipërisë bënë sot thirrje në Berlin për më shumë transparencë lidhur me rastin e konfliktit të armatosur në Kumanovë, ku humbën jetën 18 vetë, 8 policë dhe 10 persona të armatosur.

“Episodi i para dhjetë ditëve alarmoi Evropën, por po ashtu na bëri më të vëmendshëm. Shpresoj që ajo që pamë nuk është fillimi i një acarimi, por që autoritetet do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të na sqaruar se çfarë ndodhi. Së dyti, shpresoj që do të marrin gjithë masat që episode të tilla të mos përsëriten më”, tha zoti Shtajnmajer.  

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati u shpreh se është në interes të Maqedonisë të respektojë sa më mirë marrëveshjen e Ohrit.

“Gjykuar nga pikëpamja apo konteksti i kompozimit etnik dhe social që ka Maqedonia, i cili është disi unik për rajonin e Ballkanit Perëndimor, mendojmë që është në radhë të pare në interesin e Maqedonisë për të bërë një transparence më të plotë sic e tha edhe ministri Shtajnmajer në lidhje me zhvillimet në Kumanovë në mënyrë që kriza aktuale të ndalohet dhe të mos përshkallëzohet dhe rruga apo busulla orientuese e Maqedonisë si gjithë vendet e tjera të rajonit të vazhdojë të mbetet integrimi euroatlantik dhe integrimi euroatlantik që besojmë të gjithë bazohet në respektin për sundimin e të drejtës, në respektin për një marrëdhënie ndëretnike, harmonike siç parashikonte Marrëveshja e Ohrit dhe për një kohezion më të mire politik dhe social”, tha zoti Bushati. za

Dhjetë orë bisedime – pa ndonjë rezultat

 

Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevksi dhe shefi i opozitës Zoran Zaev biseduan deri në mëngjesin e mërkurës në Strasburg, por ende nuk dihen hollësi të bisedimeve

VOAL – STRASBURG – Takimi midis dy drejtuesve politikë maqedonas në Strasburg ka zgjatur për dhjetë orë, në përpjekje të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni.

Takimi i ndihmuar nga deputetët e Parlamentit Evropian Ivo Vajgel, Eduard Kukan dhe Richard Houit, ka zgjatur deri pas orës tre të mëngjesit të së mërkurës, siç njofton media maqedonase nga Strasburgu, ndërsa nuk ka shumë hollësi për rezultatet e mundshme të tij.

Përfaqësuesit politikë, Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE dhe Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate kanë njoftuar, secili veç e veç, lehtësuesit evropianë të takimit, përfshirë edhe komisionarin për fqinjësi dhe negocim të zgjerimit të Bashkimit Evropian Johanes Hahn, me gjendjen e krijuar në Maqedoni pas skandalit të përgjimeve.

Lehtësuesit evropianë, pas takimit, kanë përshëndetur me anë të një komunikate, “përpjekjet e drejtuesve të partive për arritjen e një marrëveshjeje në pajtim me standardet evropiane, e cila do të zgjidhte sfidat që dalin nga kriza. Partitë e konfirmuan përcaktimin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian dhe për parimet demokratike dhe ranë dakord që në rend të parë duhet t’i vendosin interesat e vendit”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kuadër, sot Parlamenti Evropian do të debatojë mbi gjendjen në Maqedoni, por nuk pritet të dalë me ndonjë përfundim.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Thorbjorn Jagland ka bërë thirrje të martën për një hetim të paanshëm dhe të besueshëm lidhur me akuzat e ngritura nga opozita maqedonase për përgjimin e paligjshëm të njëzet mijë njerëzve.

Në një konferencë të përbashkët shtypi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Roberto Zannier ka shprehur shqetësim për “rritjen e polarizimeve ndërmjet aktorëve të ndryshëm politikë në Maqedoni”, ndërkohë që ka bërë thirrje për një angazhim të hapur politik.

Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjatë prej disa muajsh.

Zoran Zaev i opozitës ngulë këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, zoti Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.

Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz. za

EDI RAMA – Shkupi Jo në Nato pa respektuar Ohrin

 

Kryeministri paralajmëron Maqedoninë, pas ngjarjeve të Kumanovës: E rrezikshme përpjekja për të bashkuar termin terrorizëm me emrin shqiptar.

VOAL – TIRANË – Ndërsa në takimin e ministrave të Brendshëm të Ballkanit për cështjet e terrorizmit, po i mëshonte idesë së bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe rëndësisë së stabilitetit të tij, kryeministri Edi Rama shprehu dhe një herë shqetësimin për situatën në Maqedoni, pas ngjarjeve të Kumanovës “ku, fatkeqësisht, fjala terrorizëm dhe fjala shqiptar u bënë bashkë, në një përpjekje të rrezikshme për t’i dhënë terrorizmit një prapashtesë etnike dhe etnisë një parashtesë paragjykuese. Kjo është e papranueshme, jo vetëm për ne, por për vetë interesin e Maqedonisë. Autoritet maqedonase duhet ta kenë shumë të qartë që shqiptarët kanë qenë, janë dhe mbeten një faktor shtetformues, i patjetërsueshëm, i pazëvendësueshëm, i padiskutueshëm për integritetin e shtetit maqedonas”.

Sipas kryeministrit “përzierja e termit terrorist në trajtimin e tragjedisë së Kumanovës është e patolerueshme, siç do të jetë e patolerueshme për shtetin dhe për qeverinë shqiptare, vonesa dhe ende më keq, mungesa e transparencës edhe e drejtësisë. E drejtësisë, për terrorin dhe për dëmet që pësuan banorët e pafajshëm të Kumanovës”, tha zoti Rama, duke shtuar se “të gjithë dëshirojnë një Maqedoni të qëndrueshme dhe demokratike që të jete pjesë e Natos, por  që s’mund të bëjë pjesë e saj, pa garantuar në frymë dhe në gërmë, vlerat dhe parimet e Aleancës”, nënvizoi zoti Rama duke paralajmëruar “se Maqedonia nuk mund të bëjë pjesë në NATO, pa garantuar në frymë dhe në germë, Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni ku liritë dhe të drejta e njeriut të përkojnë në frymë dhe në germë, me aspiratën e shpallur të Maqedonisë për të qenë pjesë e Bashkimit Europian dhe e NATO-s”.

Shqipëria është vend anëtar i Natos dhe gëzon të drejtën e vetos, një e drejtë e përdorur që prej 2008 nga Greqia për shkak të konfliktit që ka me Maqedoninë për cështjen e emrit.

Kryeministri Rama theksoi disa herë nevojën e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, përballë sfidave të ekstremizmit të dhunshëm.  “Terrorizmi ndërkombëtar vazhdon të përbëjë një kërcënim për këtë rajon, sikundër për të gjithë paqen dhe sigurinë globale. Unë shpresoj që ky takim të mos konfirmojë thjesht gatishmërinë, por edhe vendosmërinë tonë për të mposhtur jo thjesht terrorizmin, kur ai na shfaqet ballë për ballë, por ideologjinë, frymën dhe mekanizmat që e mbështesin atë në çdo vend dhe që e bëjnë atë, një kërcënim befasues”, u shpreh zoti Rama.

Për dy ditë me radhë ministrat e Brendshëm të Ballkanit dhe zyrtarë të vendeve të Bashkimit europian dhe shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilat  u përfaqësuan me nënsekretaren e Shtetit për Sigurinë civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut Sarah Sewall, diskutuan për masat e përbashkëta  në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, që nga përfshirja e sa më shumë aktorëve të shoqërisë, te bashkëpunimi dhe koordinimi mes agjencive ligjzbatuese të vendeve të rajonit. za

PRISHTINA PRET SQARIME NGA SHKUPI RRETH TË VRARËVE DHE TË ARRESTUARVE

 

VOAL – PRISHTINË – Autoritetet e Kosovës ende janë në pritje të konfirmimit zyrtar nga ana e autoriteteve të Maqedonisë, të emrave të personave të vrarë dhe atyre të arrestuar në incidentin e armatosur të Kumanovës, si dhe konfirmimin zyrtar që lejon marrjen e trupave të pajetë të shtetasve të Kosovës, të vrarë në këtë incident.

Gjatë një përleshjeje të armatosur me forcat e rendit në Kumanovë, me 9 dhe 10 maj, thuhet të jenë vrarë 9 shtetas nga Kosova dhe 21 të tjerë të jenë arrestuar.

Institucionet e Kosovës, kanë organizuar task forcën, e cila po përcjellë vazhdimisht zhvillimet dhe informatat që vijnë nga Maqedonia.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se janë të gatshme që të ofrojnë ndihmë edhe për të arrestuarit, por edhe për çështjen e sjelljes në Kosovë të viktimave që pësuan në incidentin e Kumanovës, e që janë shtetas të Kosovës, si dhe për familjet e tyre.

Deri më tash, Ambasada e Kosovës në Maqedoni ka ndihmuar familjarët e personave të arrestuar në 13 vizita për ta.

Autoritetet e Kosovës kanë theksuar se kanë krijuar komisionin që do të bëjë verifikimin, transportin dhe pranimin e personave të vrarë në incidentin e Kumanovës.

Gjithashtu, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se do të jenë të gatshme t’i plotësojnë kërkesat e familjarëve të viktimave, në rast se ato kërkojnë obduksionin e të afërmve tyre të vrarë.

Në anën tjetër, familjarët e personave të përfshirë në konfliktin në Kumanovë, të përkrahur nga organizatat e dala nga lufta në Kosovë, kanë organizuar protestë në Prishtinë, të cilës i janë bashkuar qindra qytetarë të tjerë.

Ata kanë kërkuar që të arrestuarit nga incidenti në Kumanovë, të kthehen në Kosovë, ashtu sikurse edhe trupat e personave të vrarë në konflikt me policinë maqedonase.

Përfaqësuesi i familjarëve të personave të përfshirë në konfliktin në Kumanovë, Taulant Gashi, ka thënë se kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të interesohen për fatin e të afërmve të tyre, dhe se protesta e së mërkurës është shenjë revolte për, siç tha ai, indiferencën e institucioneve të vendit për qytetarët e vet.

“Jemi sot këtu në shenjë solidariteti për djemtë, familjarët dhe shokët tanë, por edhe për t’iu bërë thirrje institucioneve të shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë, që të angazhohen shpejt për zbardhjen e rastit dhe mbrojtjen e qytetarëve të vet”.

“Ne si familjarë, miq e bashkëluftëtarë, ende nuk e kemi të qartë fatin e tyre. Djemtë tanë po torturohen në mënyrat më çnjerëzore nga regjimi sllavo-maqedonas. Sot, ne terrorizohemi nga mungesa e informacionit, shpifjet dhe propaganda që tregohet për fatin e atyre çlirimtarëve”, tha Gashi.

Gashi ka kërkuar që institucionet e Kosovës veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar, si dhe për identifikimin dhe sjelljen në Kosovë të trupave pa jetë të qytetarëve të saj, që u vranë në incidentin në Kumanovë.

Ndryshe, dy ditë më parë, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se janë duketentuar që të sigurojnë mundësinë që Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut t’i vizitojë të burgosurit në Maqedoni dhe të sjellë një raport para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, tha për Radion Evropa e Lirë se tashmë kanë kërkuar nga ambasada e Kosovës në Shkup që ta përshpejtojë procesin dhe të sigurohet leja nga autoritetet maqedonase.

“Ne i kemi bërë të gjitha punët që nevojiten. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të shkojmë në çdo kohë. Ambasada na ka kërkuar emrat e ekipit që do të shkoj të vizitojë. I kemi dërguar, emrat, të dhënat e pasaportave, të cilat janë të nevojshme dhe tash jemi në pritje”, theksoi Shala.

Ai ka shtuar se pas incidentit në Kumanovë, institucionet e Kosovës janë gjetur në huti dhe nuk kanë mundur të veprojnë menjëherë, por tashmë ato janë vënë në lëvizje.

Ndryshe, ditën e martë, autoritetet e Maqedonisë kanë konfirmuar se kanë marrë kërkesën nga autoritetet e Kosovës për “sigurimin e listës së personave të vdekur, sigurimin e mundësisë që një grup ekspertësh nga Kosova të bëjë obduksionin e trupave të vdekur, si dhe transportimin e trupave të vdekur nga Maqedonia në Kosovë” .

Autoritetet e Maqedonisë kanë theksuar se kërkesat e Kosovës “do të procedohen me proces të përshpejtuar”.

PRISHTINË – FAMILJARËT KËRKUAN QË TRUPAT E PAJETË TË BIJVE TË TYRE TË KTHEHEN NË KOSOVË

VOAL – Protesta e organizuar nga familjarët e të arrestuarve dhe të vrarëve në Kumanovë e mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ka përfunduar.

Familjarët kanë kërkuar që të familjarët e arrestuar por edhe kufomat e të vrarëve të kthehen në Kosovë.

Taulant Gashi i cili ka folur në emër të familjarëve tha se janë të indinjuar me qeveritarët kosovarë që luftëtarët e Kumanovës i quajtën terroristë

Protestën e përkrahën edhe shoqatat e luftës.

Kryetari i Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së Xhavit Jashari tha se sot janë bashkë për të përçuar një mesazh nga deri te institucionet që të jenë në krye të detyrës.

“Ata që luftuan në Kumanovë nuk janë vetëm pjesëtarët e familjeve tuaja por edhe janë luftëtarë të lirisë kudo që jetuan shqiptarët. Nga sot e tutje të gjithë ata që lëshojnë deklarata të pamatura ndaj atyre që luftuan në këto troje ne u themi se e kanë gabim”, tha Jashari.

Protestuesit përveç fotografive të të vrarëve në Kumanovë, kanë mbajtur në duar pankarta me mbishkrimin “Ku janë djemtë tanë”, “Poshtë pushteti sllavo-maqedonas”, etj.

PËRFUNDON AUTOPSIA – PRITET KTHIMI I TRUPAVE

Autoritetet maqedonase kanë identifikuar trupat e të vrarëve gjatë konfliktit të fundjavës së  kaluar në Kumanovë të Maqedonisë përmes autopsisë së përfunduar të hënën.

Numri i të vdekurve të identifikuar është dhjetë, nëntë nga ata janë nga Kosova, derisa njëri është nga Maqedonia.

Burime të besueshme të gazetës në Ministrinë e Drejtësisë së Maqedonisë kanë konfirmuar në kushte anonimiteti se autopsia e trupave ka përfunduar gjatë ditës së hënë, ndërkohë janë në pritje të vendimit të Prokurorisë se kur do t’i lejojë trupat të sillen në Kosovë, transmeton Zëri.

Ndonëse lista me emrat e të vdekurve akoma nuk ka arritur në Kosovë, gazeta ka pasur qasje në atë listë në të cilën në mesin e të vdekurve janë edhe të shumëpërfolurit, Mirsad Ndrecaj  (17.06.1979) dhe Beg Rizaj (25.12.1977).

Editorial – MAQEDONIA IA VRAU KOSOVËS LULEN E TRIMËRISË

Maqedonia ia vrau Kosovës, në rrethana absolutisht të pasqaruara, disa nga luftëtarët e saj më të shquar të lirisë, ia vrau lulen më të bukur të trimërisë. Ata që u vranë në Kumanovë dhe ata që u arrestuan e po torturohen në burg janë luftëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, ish Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, janë luftëtarë të përjetshëm të lirisë. Pasi ia vrau Kosovës lulen e trimërisë, Maqedonia, në vend që të japë sqarime një për një rreth Kumanovës, po e mban Kosovën fajtore dhe po tallet me djemtë e saj. Kumanova është e paqartë edhe sot e kesaj dite saqë ende nuk janë identifikuar të vrarët e 9 dhe 10 majit. Ndërsa kërkesave të Qeverisë së Kosovës për identifikimin e trupave të pajetë, Maqedonia i është përgjigjur në mënyrën më tallëse: “Shumë shpejtë do të marrë një përgjigje ambasada e Kosovës, përmes linjës zyrtare pë të gjitha kërkesat, të cilat i ka adresuar drejt organeve kompetente.” Kërkesat e Kosovës rezultojnë si më poshtë: “Kërkesa e parë ka të bëjë me sigurimin e listës së personave të vdekur. Kërkesa e dytë ka të bëjë me sigurimin e mundësisë që një grup ekspertësh nga Kosova të bëjë obduksionin e trupave të vdekur. Kërkesat e fundit kanë të bëjnë me transportimin e trupave të vdekur nga Maqedonia në Kosovë.” Zëdhënësi shqiptar i Ministrisë së Drejtësisë, të cilën gjoja e drejton një shqiptar, i ka shfajësuar vonesat maqedone, duke thënë se kemi të bëjmë me një “çështje delikate”. Në aksionin e 9 dhe 10 majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë, të rrethuar nga forcat speciale të Maqedonisë, raportohet nga Shkupi zyrtar se humbën jetën 9 shtetas nga Kosova dhe 21 të tjerë të jenë arrestuar si pjesëtarë të grupit të armatosur me të cilin është përleshur policia maqedonase. Të arrestuarit po mbahen në burgun e Shutkës në Shkup dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Ndërkohë Avokati i Popullit i Maqedonisë Ixhet Mehmeti iu ka thënë mediave se të parabarugosurit e Kumanovës janë torturuar. Prishtina dhe Tirana duhet të vënë në punë të gjitha kapacitetet e tyre për të sensibilizuar dhe për të vënë në lëvizje bashkësinë ndërkombëtare, në të gjithë hierarkinë e saj, në mënyrë që trupat e pajetë të identifikohen dhe t’iu dorëzohen familjeve të tyre në Kosovë sa më shpejt, ndërsa të arrestuarve t’iu sigurohet një proces i drejtë, i shpejtë dhe transparent në përputhje me të gjitha konventat përkatëse që janë në fuqi.

IXHET MEHMETI – TË PARABURGOSURIT E KUMANOVËS JANË TORTURUAR

Pas grumbullimit të dëshmive dhe informacioneve kemi siguruar dëshmi të mjaftueshme se tek një i paraburgosur është kryer torturë. Njëlloj edhe në rastet e tjera të të paraburgosurve kemi informacione për maltretime dhe tortura dhe këto denoncime janë bërë edhe nga avokatët dhe të afërmit e të paraburgosurve. Kështu ka deklaruar Ixhet Memeti, Avokati i Popullit.

Ai ka theksuar se në burgun e Shutkës janë vizituar vetëm një pjesë e të paraburgosurve dhe jo të gjithë dhe se për disa nuk dihet akoma gjendja e tyre.

Memeti gjithashtu ka bërë të ditur se nga e premtja e kaluar, institucioni i tyre po përballet me obstruksiuone nga drejtoria e burgut të Shkupit. Për këtë ai ka njoftuar dhe kërkuar raport nga Ministria e Drejtësisë./Alsat/

SOT PROTESTË NË PRISHTINË PËR TË ARRESTUARIT E KUMANOVËS

Familjarët e ish-luftëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në konfliktin në Kumanovë do të mbajnë sot, me fillim në orën 12:00, një protestë para Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të cilën, siç kanë paralajmëruar, do të kërkojnë nga institucionet e Kosovës që urgjentisht të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve që janë të arrestuar.

Përmes një thirrjeje publike ata thonë se në Kumanovë u luftua për drejtësi dhe dinjitet të shqiptarëve dhe përmes protestës e cila do të organizohet në mbështetje të organizatave të luftës, veteranëve dhe studentëve do të adresojnë kërkesat e tyre.

Organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përkrahin protestën e organizuar nga familjarët e ish-luftëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në luftimet e Lagjes së Trimave në Kumanovë dhe u bënë thirrje veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve që të marrin pjesë në të.

“Kjo protestë organizohet, për shkak se familjarët e luftëtarëve që u janë publikuar emrat në listën e të vrarëve nuk kanë informacion zyrtar, si dhe për shkak të keqtrajtimit të atyre luftëtarëve që gjenden në burgjet e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

Me anë të një komunikatë, protestën e përkrahu edhe Grupi i Pavarur Studentor, organizatë kjo e cila kohë më parë organizoi në sheshin e Prishtinës ndezjen e qirinjve për të rënët në luftimet në Kumanovë.

“Ne si Grup i Pavarur Studentor shprehim përkrahjen e fuqishme për familjarët e viktimave që ndodhën në Kumanovë dhe njëherwsh për familjarët e të arrestuarve dhe shprehim brengen tonë në lidhje me mënyrën e trajtimit që po u bëhet të arrestuarve”, thuhet në komunikatën e GPS, në të cilënm njëkohësisht, kërkohet nga Qeveria një transparencë më e madhe dhe një kujdes më i madh për bashkëkombësit ne Maqedoni.

Ja dhe kërkesat të cilat i parashtrojnë organizatorët e protestës së sotme:

– Kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi sllavo maqedonas dhe servilet shqiptarë në institucione.

– Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprimet konkrete në identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmorë për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni.

– Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj institucioneve tona, të cilat për më shumë se një javë qëndrojnë indiferent ndaj qytetarëve të vet, të cilët vriten, rrahën, e torturohen nga regjimi policor e diktatorial i Maqedonisë.

– Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj deklarimeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, që i quan terrorist ish luftëtarët e lirisë. Ata djem nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoni.

Shqiptarët janë mësuar të jetojnë me dinjitet. Shqiptarët asnjëherë nuk pranuan dhe nuk do të pranojnë të jetojnë të nëpërkëmbur. Dinjiteti dhe liria e bashkëkombësve tanë në Maqedoni është përgjegjësi e të gjithë neve. Patriotizmi e përkushtimi i djemve tanë për kombin shqiptarë është dëshmuar nga veprat e tyre. Ata kanë qenë pjesë e çdo lufte çlirimtare duke e mbajtur gjallë ëndrrën tonë për bashkim të trojeve etnike shqiptare. kp

ALI AHMETI DHE MENDUH THAÇI – DJEMTË E PLEHRAVE – Nga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike ([email protected])

Demokracia nuk mund të imponohet duke eliminuar pikëpamjet rivale; suksesi i saj nuk mund të garantohet as kur ideali fiton një pranim të përgjithshëm. Demokracia thjesht nuk mund të garantohet, sepse ajo mbetet e kushtëzuar nga energjitë krijuese të atyre që marrin pjesë në të. Shqiptarë të FYROM-it, mos rrini pasiv, bashkojuni protestave të opozitës sllavo-folëse, alternativa më e mirë për momentin, hapi parë…Shtyni në përdorim energjitë e juaja ose digjuni.

***

Një firmë punoi dy javë në rindërtimin e kuzhinës verore në kopshtin para shtëpisë time në Kaliforni si dhe plazhit privat që kufizohet me kuzhinën. Puna u krye para tre ditëve, por pastrimin e terrenit nga mbeturinat duheshe ta bën ndonjë firmë tjetër e nivelit të ulët. Kërkova në internet, gjeta një reklamë ku thuhej:

Djemtë e plehrave

Ne i marrim dhe i bartim plehrat dhe mbeturinat tua shtëpiake për riciklimin. Djemtë e plehrave i hedhin mbeturinat tua.

Një alternativë më e mirë se sa t`i hedhësh në koshin e plehrave!

Ne mbledhim dhe hedhim:

– Të gjithë mbeturinat që ju kanë mbetur pas rindërtimit të nevojtoreve ose objekteve tjera shtëpiake

– Mbeturinat e kopshtit që me muaj kanë qenë në qese mbeturinash

– Çfarë ju nuk e kuptoni se pse është e vendosur në bodrum ose në nën çatinë e shtëpisë

Dhe çdo gjë tjetër që ju nuk dëshironi për të disponuar.

***

Më shkoi mendja te tradhtarët Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët unë nga respekti i madh që kam për ta, nuk do t`i quaj: “enveristi i Zajazit” dhe “bakllavaxhia i Tetovës”, por “Djemtë e Plehrave”. Kjo sepse këta dy nuk vyejnë gjë. Rrenave të tyre për gjoja se avancimin e çështjes shqiptare u besojnë vetëm budallenjtë.

Ndodhi edhe Kumanova – Maj 2015, por djemtë e plehrave pasi janë pjesëmarrës në inskenimet e ngjarjeve tragjike atje, nuk largohen vullnetarisht nga qeveria terroriste e FYROM-it. Djemtë e plehrave e kuptojnë vetëm forcën por pasi për momentin nuk shohin rrezik nga ajo, akoma mashtrojnë shqiptarët, tani, që të mos u bashkohen protestave të opozitës sllavo-folëse në krye me Zoran Zaevin. (Jo për të ngritur Zajevin por rrëzuar Gruevskin).

Nuk ka dyshim se nevojiten ndryshime të mëdha, të gjitha këto parti të korruptuara shqipfolëse duhet të shemben, shkatërrohen. Nuk pritet që „politikanët“ të heqin dorë nga interesat vetjake. Prandaj lypset mobilizuar opinionin publik për të ushtruar trysni mbi ta.

A do të mbijetojnë si komb shqiptarët etnik të FYROM-it nuk është aspak e sigurt, kjo varet nga fakti nëse rendi i tanishëm kriminel do të mbijetojë apo jo. Do të mbijetojnë nëse më përpara e pastrojnë oborrin e vetë nga djemtë e plehrave. T`i shembim kriminelët më përpara se kriminelët të na shembin neve.

Djemtë e plehrave 25 vjet me radhë përçmojnë, shtypin dhe kontrollojnë shqiptarët e pambrojtur, të paorganizuar dhe të paarmatosur që nuk mund t`jua kthejnë goditjen. Këta tipa janë sadistë pikërisht për shkak se ndihen të pafuqishëm, të paaftë. Sadisti orvatet të gjejë një kompensim, duke ushtruar pushtet mbi të pambrojturit, duke u shndërruar – ai që ndihet një krimb – në një zot.

Qysh prej vitit 2001 kam shkruar rregullisht se shqiptarëve etnik të FYROM-it u duhet një UNITET që të reagojnë s`bashku kundër regjimeve terroriste të atij shteti të përkohshëm, përndryshe kurrë nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë shtetin terrorist sado i dobët të jetë ky, sepse shteti ka forcën e detyrimit.

Sa më shumë atdhetar të jenë të aftë të vërejnë me qetësi dhe sy kritik skenën për shqiptarët, të cilën e përgatisin armiqtë e jashtëm në bashkëpunim me armikun e brendshëm, aq më i vogël do të jetë rreziku i çmendurive të mëdha kolektive, dhe në radhë të parë, i luftës vëllavrasëse. E ardhmja e juaj varet nga serioziteti i juaj: si t`i shkatërroni partitë “politike”, si t`i qaseni problemit të juaj ekzistencial dhe cila rrugë ju shpie drejt lirisë, demokracisë dhe barazisë me sllavo-folësit, ose ndarja definitive dhe ribashkimi me shtetin amë.

“Suksesi”, popullariteti dhe pasuria personale janë, vetë-terapia e “politikanëve” shqipfolës (djemve të plehrave) kundër depresionit dhe çmendurisë. Duke luftuar për të arritur pikësynimet e tyre, në të vërtetë luftojnë për shëndetin e tyre mendor. “Politikani” shqipfolës i tokave shqiptare, është i hareshëm dhe mbron pareshtur se është i kënaqur prej jetës së tij, mbetet i pështjelluar nga ëndrra, dhe fillon të shprehë pikëpamje të ndryshme mbi punën e tij përkundër faktit se veprimtaria e tij “politike” nuk ka asnjë qëllim Kombëtar përveç atij për të bërë pasuri për vete dhe se, për të ky është një motiv i mjaftueshëm për jetën; dhe më tej, me gjithë larminë në dukje, problemet “politike” të cilave duhet t`u jep zgjidhje, janë në thelb të gjithë të njëllojtë, ose mund të “kryhen” me një numër të kufizuar të metodave të përsëritura..

***

Ngjashmëria në themel e një njeriu me një tjetër dhe të drejtat e patjetërsueshme të njeriut janë ide të një epoke tjetër. Thjesht fakti se jemi qenie njerëzore nuk sjell me vete ndonjë të drejtë: përballë ligjit skllavi nuk ndryshon nga një pasuri tjetër e tundshme. Privilegjet i takojnë më fortë pozicionit në jetë sesa vetë personit. Për shembull, në një shoqëri feudale toka është më e rëndësishme se pronari i tokës, ky i fundit privilegjet i gëzon vetëm nga që zotëron tokën.

EVROPA NDËRMJETËSON MES GRUEVSKIT DHE ZAEVIT

 

VOAL – BRUKSEL -Bisedimet e sotme mes kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski dhe drejtuesit të opozitës Zoran Zaev për zgjidhjen e krizës në vend, janë zhvendosur në Strazburg, ku tre deputetë të Parlamentit Evropian po ndërmjetësojnë bisedimet.

Fillimisht, zoti Zaev takohet me euro-deputetët Ivo Vajgël, Richard Howitt dhe Eduard Kukan. Takimi me këta të fundit do të pasohet veçmas nga zoti Gruevski dhe më pas pritet që të mbahet një takim i përbashkët.

Bëhet e ditur se edhe Komisioneri për Fiqnjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, do të ketë takim me drejtuesit politik maqedonas.Dy rivalët politikë kanë qëndrime tejet të kundërta për sa i përket zgjidhjes së krizës politike, që po zgjatë prej disa muajsh.

Zoran Zaev i opozitës ngulë këmbë për dorëheqjen e kryeministrit Gruevski dhe të qeverisë së tij, për t’i hapur rrugë një qeverie të përkohshme që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohëshme.

Ndërkohë, zoti Gruevski në këtë fazë, e ka kundërshtuar propozimin, duke thënë se gëzon mbështetjen dhe vullnetin e popullit dhe të votuesve.

Pas një jave, bisedimet do të vazhdojnë në Shkup, me përfshirjen edhe të dy përfaqësuesëve politikë shqiptarë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Kriza u thellua sidomos pas daljes në skenë të skandalit të përgjimeve, për të cilin opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. za


SHBA – THIRRJE PËR DIALOG MES PALËVE NË MAQEDONI

 

VOAL – UASHINGTON – Departamenti amerikan i Shtetit tha se po i ndjek me vëmendje zhvillimet në Maqedoni dhe bëri thirrje për ruajtjen e qetësisë. Por Rusia  ka hedhur një teori paralele sipas së cilës, perëndimi i ka nxitur protestat kundër qeverisë së Nikola Gruevskit si reagim ndaj mbështetjes së tij për një projekt rus energjie përmes Ballkanit. Në Washington, një ekspert thotë se problemi qëndron tek angazhimi i pamjaftueshëm, jo i tepërt i Uashingtonit dhe BE-së.  Kolegia Keida Kostreci njofton:

​​

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Jeff Rathke tha dje se Departamenti i Shtetit dhe partnerët evropianë u kanë shprehur shqetësimet qeverisë maqedonase dhe udhëheqësve politikë për krizën aktuale politike.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë të drejtat e grumbullimit dhe lirinë për protesta paqësore, por të frenohen nga dhuna.  U kemi kërkuar autoriteteve që të marrin hapa për identifikimin e përgjegjësive mbi akuzat për shkelje nga ana e qeverisë lidhur me informacionet e bëra publike së fundmi”.

Zoti Rathke tha se Uashingtoni i ka bërë thirrje partisë së opozitës që të kthehet në parlament, që të marrë pjesë në mbikqyrjen e institucioneve. Përfshirë komisionin për hetimin e informacioneve nga përgjimet. Ai shtoi se hapat për zëvendësimin e zyrtarëve të implikuar të qeverisë ishin inkurajues.

“Por ne besojmë se të gjithë udhëheqësit e Maqedonisë duhet të punojnë së bashku dhe të angazhohen në dialog për çështje me të cilat përballet vendi, përfshirë reformat e nevojshme dhe krizën aktuale politike”.

Por ndërsa qeveritë dhe organizatat perëndimore vazhdojnë të shprehin shqetësimin për gjendjen, Rusia ka hedhur një teori alternative, sipas së cilës perëndimi është organizatori i protestave kundër Gruevrskit, si kundërpërgjigje ndaj bashkëpunimit të tij me Moskën.

Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha të premten në Serbi se ngjarjet në Maqedoni po “zhvillohen në kontekstin e refuzimit të qeverisë (maqedonase) për të rënë dakord me politikën e sanksioneve kundër Rusisë dhe mbështetjes së fuqishme që Shkupi ka shprehur për projektin e gazsjellësit turk.

Ai i referohej idesë për një projekt që ka hedhur Moska për të zëvendësuar  Gazsjellësin e Jugut përmes Evropës juglindore, që u braktis pas kundërshtimit të BE-së.

Ministria e Jashtme ruse dhe diplomatët rusë folën për plane nga jashtë për “përpjekje për ta shtyrë vendin në humnerën e një revolucioni si ato me ngjyra”.

Por një ekspert amerikan i politikave të energjisë thotë se ajo që po ndodh në Maqedoni nuk është rivalitet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Richard Kauzlarich është Bashkëdrejtor i Qendrës për Shkencën dhe Politikën e Energjisë, dhe ish-ambasador në Bosnje.

“Më vjen keq ta them por një nga problemet është se Shtetet e Bashkuara nuk i kanë kushtuar vëmendjen e caktuar Ballkanit në përgjithësi, veçanërisht Maqedonisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Dhe të dyja ato vende tani siç kemi parë javët e fundit kanë pasur incidente të brendshme sigurie që kanë shkaktuar vdekje dhe mendoj se u rikujtuan Uashingtonit dhe Brukselit rëndësinë e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe angazhimit të tyre në rajon”.

Edhe senatori demokrat Chris Murphy tha në një deklaratë se kriza në Maqedoni është një kujtesë që Shtetet e Bashkuara nuk duhet “ta marrin si të mirëqenë “paqen dhe stabilitetin në Ballkan”.

Ish-ambasadori Kauzlarich thotë se nuk është sekret që Shtetet e  Bashkuara duan që Evropa të diversifikojë burimet e saj të energjisë. Por me gjithë pretendimet e Moskës, ai thotë se nuk sheh shenja të ndonjë dëshire për të hapur ndonjë front të ri konflikti SHBA-Rusi lidhur me energjinë në Ballkan. za

SKËNDER HYSENI – NGJARJET NË MAQEDONI S’KANË LIDHJE ME TERRORIZMIN

VOAL – TIRANË – Ngjarjet e ndodhura së fundmi në Maqedoni nuk kanë asnjë lidhje me terrorizmin, dhe kushdo që e bën këtë paralelizëm gabon rëndë.

Kështu u shpreh sot në Tiranë, ministri i Brendshëm i Kosovës Skënder Hyseni, ndërsa ka marrë pjesë në samitin rajonal që po zhvillohet në Shqipëri,për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Asnjë lidhje nuk mund të tërhiqet, asnjë paralele. Kujtoj është fondamendalisht qasje e gabuar nëse çfarëdo paralele tërhiqet midis terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe ngjarjeve në Maqedoni, dhe absolutisht në Tiranë jemi duke biseduar për mënyrat më efikase të mundshme për të luftuar terrorizmin por ngjarjet në Maqedoni nuk kanë asnjë lidhje me këtë, dhe çfarëdo përpjekje për të tërehqur një paralele midis asaj që po ndodh në Maqedoni dhe terrorizmit global është gabim shumë, shumë i madh dhe absolutisht qëndrimi im është i prerë; nuk kanë lidhje ngjarjet në Maqedoni me çfarëdolloj terrorizmi apo ekstremizmi,” tha Skënder Hyseni sot në Tiranë.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës kanë marrë masa në mënyrë që të mos ketë importim të trazirave nga Maqedonia në Kosovë dhe po sigurohen që të jenë të përgatitura në rast të tejkalimit të situatës dhe të ardhjes së shqiptarëve të Maqedonisë që mund të kërkojnë strehim në Kosovë.

Aktualisht janë mbi 50 aktakuza të ngritura për pjesëmarrjet në luftëra të huaja, e për më tepër Kosova ka miratuar edhe një ligj të posaçëm për ti ndaluar qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në luftëra jashtë vendit të tyre. kp

BEN BLUSHI VIZITON LAGJEN E TRIMAVE NË KUMANOVË – KUR SHTETI ËSHTË I PABESË, KY ËSHTË FUNDI I TIJ

 

LAGJIA E TRIMAVE, KUMANOVË – Deputeti socialist Ben Blushi udhëtoi sot drejt Maqedonisë, ku fillimisht vizitoi qytetin e Kumanovës, i cili u bë arenë e përplasjes së forcave të policisë maqedonase dhe një grupi të armatosur, ku humbën jetën 22 veta.

Blushi i takua me banorë të Lagjes së Trimave, e cila ishe edhe lagjia që u godit nga kjo ‚luftë‘. Gjatë takimit Blushi e quajti shtetin maqedonas të pabesë.

Duke vizituar banorët dhe shtëpitë e tyre të rrënuara, ai tha se u tmerrua nga çfarë ka parë dhe përjetuar në këtë lagje, e cila, theksoi Blushi, është goditur nga një terror i paparë, informon INA. „Ju kanë cënuar pronat dhe dinjitetin njerëzor. Ju kanë cënuar pabesisht dhe padrejtësisht. Kur shteti është i pabesë, ky është fundi i tij,“ përfundoi Blushi.

Para disa ditësh deputeti Blushi ngriti çështjen e Kumanovës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

„Ajo që ndodhi sot në Kumanovë është e frikshme. Maqedonia sot ka një problem deliktat me demokracinë e vet. Nuk është një shtet demokratik, por autokratik. Rasti i Kumanovës dëshmoi se shqiptarët kanë një krizë në raport me qeverinë që i drejton dhe me partitë shqiptare. Ne s’mund t’iu themi se kujt t’i besojnë, por si shtet dhe si parlament duhet t’i mbështesim demokratët në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë,“ tha Bushi.

ben b2

ben b3

DASH – SHBA TË SHETËSUARA PËR KRIZËN NË MAQEDONI

 

VOAL – UASHINGTON – Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jeff Rathke, ka thënë se Shtetet e Bashkuara “janë duke vëzhguar nga afër zhvillimet në Maqedoni dhe së bashku me partnerët evropianë, janë në konsultime të ngushta me qeverinë në Maqedoni dhe liderët politikë atje për të shprehur shqetësimet mbi krizën aktuale politike”.

Në takimin me gazetarët në Washington, zoti Rathke ka përcjellur thirrjen drejtuar të gjitha palëve në Maqedoni për të respektuar të drejtën e lirisë për t’u mbledhur dhe për të protestuar në mënyrë paqësore, dhe njëkohësisht për t’u përmbajtur nga dhuna.

Ai ka thënë gjithashtu se nga autoritetet është kërkuar të merren me pretendimet për keqbërje nga ana e qeverisë të cilat janë shpërfaqur së fundmi, kurse nga opozita është kërkuar të kthehet në Kuvend që të mbikëqyrë në kuptimin parlamentar institucionet qeverisëse të Maqedonisë, përfshirë këtu edhe komisionin hetimor që do të merrej me zbulimet e fundit.

Zëdhënësi i DASH-it ka përshëndetur vendimin e javës së kaluar të qeverisë maqedonase për të zevendësuar ministrat dhe zyrtarët e implikuar, por njëkohësisht ka shprehur besimin se liderët e Maqedonisë duhet të punojnë bashkërisht dhe të angazhohen në dialog mbi çështjet të cilat gjenden përballë këtij vendi, përfshirë këtu reformat e domosdoshme dhe krizën aktuale politike. rel

MITINGU I GRUEVSKIT MBRËMË NË SHKUP ISHTE PLOT FLAMUJ RUSË

“Nëse në Evrovizion sonte nuk na japin 12 pikë, atëherë kot paskan qenë flamujt mbrëmë…”.

Është ky një nga komentet satirike në rrjetet sociale, pas mitingut të mbrëmshëm në Shkup, të organizuar nga partia në pushtet VMRO-DPMNE në mbrojtje të kryeministrit dhe liderit të partisë Nikolla Gruevski.

Përveç flamujve partiakë dhe shtetërorë – përfshirë edhe atë të vjetrin, me yllin e Verginës, në kontra-protestën e djeshme në Shkup kishte edhe shumë flamuj të Serbisë dhe Rusisë dhe shumë simbole fetare ortodokse. Gjithashtu, para dhe pas mitingut, protestuesit këndonin këngë dhe hidhnin parulla fyese dhe kërcënuese ndaj shqiptarëve.

Portali satirik “Kozanostra” ka komentuar edhe kontra-kampingun e aktivistëve të VMRO-së, të cilët vendosën të qëndrojnë tërë natën me tenda përballë Parlamentit. VMRO edhe në këtë mënyrë iu përgjigj protestuesve të anës tjetër, të cilët pas mitingut të parmbrëmshëm të opozitës, studentëve dhe shoqërisë civile për dorëheqjen e Gruevskit dhe Qeverisë, u stacionuan te Qeveria me qëllim që të mos largohen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Duke paraqitur absurditetin e situatës, ku pushteti, si në regjimet diktatoriale, i organizon njerëzit që ta përkrahin, “Kozanostra” shkruan: “Nga kontra-kampi të vendosur: Nuk largohemi deri sa ta marrim vesh pse jemi këtu”. kp

MUSTAFA – S’KAM PASUR INFORMACIONE PËR NGJARJET E KUMANOVËS

VOAL – PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur shqetësimin lidhur me tendencat për manipulimin e opinionit se gjoja ai ka pasur informata nga AKI lidhur me ngjarjet që mund të ndodhnin në Kumanovë.

Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit, sipas të cilës po që se Kryeministri i Republikës së Kosovës do të dispononte me informata të tilla, jo vetëm që me urgjencë do të kërkohej nga institucionet e sigurisë për të ndërmarrë të gjitha veprimet parandaluese, por një gjë e tillë do të kërkohej edhe nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë, me qëllim të parandalimit të humbjes së jetës së njerëzve dhe dëmtimit të pronës. kp

MAQEDONI – EDHE MBËSHTETËSIT E GRUEVSKIT – NË TENDA

 

Përkrahësit e opozitës nga e diela po qëndrojnë para qeverisë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski – mbështetësit e këtij të fundit ngritën tenda para parlamentit.

VOAL – SHKUP – Pas mitingut të VMRO-DPMNE të hënën mbrëma para Parlamentit në Shkup, disa përkrahës të kësaj partie kanë ngritur tenda përballë Parlamentit, për të shprehur kështu mbështetjen ndaj partisë së tyre. Ata thonë se do të mbeten aty “për ta mbrojtur demokracinë dhe vullnetin e shumicës së votuesve të shprehur në zgjedhje dhe deri sa të mos ketë rrezik nga Lidhja Social Demokrate dhe organizata Soros ndaj institucioneve dhe interesave shtetërore”.

Veprimi i tyre është kundërpërgjigje ndaj mbështetësve të opozitës maqedonase e cila që nga e diela kanë vendosur tenda para ndërtesës së qeverisë, një kilometër larg kundërshtarëve të tyre politikë, në pritje të dorëheqjes së kryeministrit Nikolla Gruevski dhe qeverisë së tij.

Protesta e së dielës e opozitës dhe mitingu i së hënës i partisë maqedonase në pushtet mblodhën një masë të madhe njerëzish, që nuk mbahet mend, mbase nga pavarësia e Maqedonisë. Por, nëse në protestën e opozitës u pasqyrua një paraqitje shumetnike si simbol i të ardhmes së barabartë të popujve të këtij vendi, kritikët në mitingun e VMRO-së dalluan një paraqitje të forcës përmes fjalimeve të përshkuara nga gjuha e urrejtjes .

Kryetari i partisë dhe kryeministër, Nikolla Gruevski u tha të tubuarve të hënën se “Maqedonia nuk ka nevojë për udhëheqës që e vënë vetën në shërbim të shërbimeve të huaja të zbulimit”, duke ju referuar udhëheqësit të opozitës Zoran Zaev. “Mesazhi ynë është se ne nuk do të tërhiqemi. Ata po kërkojnë dorëheqjen time kundër vullnetit të popullit”, tha Nikola Gruevski

Ai tha se numri i pjesëmarrësve të tubimit është “disa herë më i madh se ai i opozitës”.

Kritikët, ndërkaq, vërejnë se pushteti, si qendror edhe ai vendor u kanë bërë trysni punonjësve të administratës që me doemos të dalin në miting duke sjellë me vete edhe anëtarë të familjes ose miq të tyre.

Në anën tjetër, protestuesit e opozitës të cilët kanë vendosur tendat para ndërtesës së qeverisë për të kaluar netët, thonë se do të rrinë aty deri sa kryeministri Gruevski dhe qeveria e tij të japin dorëheqje.

Kriza në Maqedoni, që filloi menjëherë pas zgjedhjeve të prillit, 2014, pasi Lidhja Social Demokrate nuk i njohu rezultatet dhe ngriti akuza për manipulime, duke bojkotuar si rrjedhojë edhe punën e Parlamentit, u shkallëzua edhe më tej me skandalin e përgjimeve. Opozita thotë se janë mbi njëzet mijë qytetarë të vendit të cilëve u janë përgjuar bisedat telefonike. Në këtë kuadër, opozita posedon përgjime edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë, të cilët dëgjohen, nga sa është publikuar, duke biseduar për manipulime të ndryshme si në gjyqësor, në zgjedhje, biznese, media, etj.

Katër drejtuesit e partive më të mëdha politike në Maqedoni u takuan të hënën në një raund të dytë për të kërkuar një zgjidhje të krizës politike që ka kapluar vendin, por pa rezultat. Në takimin e ndihmuar nga ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian, Jess Baily dhe Aivo Orav, ende nuk janë hapur temat e bisedimeve; madje drejtuesi opozitar Zoran Zaev ende nuk i quan bisedime.

Të martën në Strazburg do të mbahet një takim midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtuesit opozitar Zoran Zaev, me ndërmjetësimin e tre deputetëve të Parlamentit Evropian. Pastaj më 26 maj, përsëri do të takohen të katër drejtuesit e partive më të mëdha në Shkup.

Kërkesa e opozitës maqedonase ka të bëjë me një qeveri, e cila mund të jetë e përbërë nga ekspertë, nga administrata ose mund të jetë dhe politike, që do ta kthejë vendin drejt normalitetit dhe të krijojë kushte për zgjedhje të parakohshme, siç tha zoti Zaev.

Qeveria e vendit të vogël ballkanik pas përballjes me skandalin e përgjimeve, përjetoi edhe një konflikt të armatosur në Kumanovë mes policisë dhe disa shqiptarëve të armatosur, ku sipas autoriteteve humbën jetën 18 njerëz.

Në këtë rajon të njohur për historinë e përgjakshme të konflikteve ndëretnike dhe paqëndrueshmërisë politike, zhvillimet kanë shkaktuar alarm si brenda ashtu edhe jashtë atij vendi. za

Protesta pro-Gruevskit me Jankullovskën dhe e mbushur me flamuj serbë

Në mitingun qeveritar e organizuar nga Gruevskiqë që u mbajt para godinës së Parlamentit në Shkup, në radhët e para ishin të rreshtuar ministrat maqedonas, kryetarët e komunave që drejtohen nga VMRO-DPMNE-ja, si dhe drejtuesit e partive më të vogla që janë në koalicion me Gruevskin.

Në afërsi të Gruevskit janë parë edhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordanan Jankullovska dhe ish-shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov, të cilët ditë më parë dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre shtetërore.

Gjithë opinioni sapo është njohur me deklarimet antishqiptare të Jankullovskës, ku nga përgjimet që ka bërë publike Zaevi, dëgjohet që Jankullovska të ketë thënë se i shfaros brënda orës shqiptarët, duke përdorur termin denigrues.

Hapjes së mitingut i kanë paraprirë disa këngë patriotike në gjuhën maqedonase, kurse përveç flamujve të Maqedonisë, i madh ka qenë edhe numri i flamujve serbë që janë valëvitur nga mbështetësit e pushtetit.

Mitingu i VMRO-së u mbajt një ditë pas protestës së madhe antiqeveritare që u organizua nga opozita.

ZIADIN SELA: NDËRTIMI I SHTETIT BINACIONAL DHE NJË MARRËVESHJE E RE E SHPËTON MAQEDONINË NGA KRIZA

VOAL – Kryteari i Lëvizjes për Reforma në PDSH, Ziadin Sela, ka qënë i ftuar në emisionin e gazetarit të njohur shqiptar, Enkel Demi në Televizionin Publik Shqiptar.

Sela ka folur për situatën politikë në Maqedoni, ngjarjet e fundit në Lagjen e Trimave në Kumanovë, protestën e opozitës, reformimin e pashmangshëm të skenës politike shqiptare dhe për zgjidhjen njëherë e mirë të çështjes shqiptare në Maqedoni.

Në pyetjen e Enkel Demit se a ka pozuar ndonjëherë Ziadin Sela me flamurin maqedonas ashtu siç pozoi Zaevi me flamurin kombëtar shqiptar, Sela iu përgjigj se asnjëherë se ka bërë këtë dhe se as nuk i është ngritur në këmbë himnit maqedonas. Sela këtë e arsyetoi me faktin se kur është sjell ky flamur dhe ky himn i shtetit të Maqedonisë, nuk janë pyetur shqiptarët dhe prandaj nuk ka pse i respekton.

“ Është e vërtetë. Nuk kam dalur asnjëherë ashtu siç nuk i jam ngritur asnjëherë në këmbë hymnit të Maqedonisë. Unë e përmeda edhe më herët…Maqedonia ka shpallur pavarësinë e saj mbi bazën e aneksimit të të drejtave të një të tretës së popullatës. Unë nuk kam pse e respektoj një hymn kombëtar, të cilin shqiptarët nuk e kanë votuar, përbërja e parë parlamentare shqiptare në vitin 92 nuk e ka votuar këtë Kushtetutë. S’ka votuar as flamurin, s’ka votuar as hymnin… Kur është sjellë ai flamur, nuk janë pyetur përfaqësuesit e shqiptarëve, nuk ka konsensusin e shqiptarëve dhe s’kam pse e respektoj”- theksoi Ziadin Sela, transmeton Portali Vatra.

Sela gjatë emisionit foli edhe për ndërtimin e shtetit binacional në Maqedoni dhe ky shtet sipas tij ndërtohet vetëm me një marrëveshje të re politike, me të cilën do të rregulloheshin njëherë e mirë problemet e shqiptarëve dhe kjo sipas tij arrihet me parlamentin dydhomësh, ndarjen proporcionale të buxhetit, gjuhën shqipe zyrtare. Nëse sipas tij kjo nuk arrihet do të ketë krizë.

Ai përmendi disa forma të rregullimit shtetëror nëpër të cilat duhet të kalojë Maqedonia. Shtet i përbashkët binacional, federatë ose Konfederatë dhe nësë të gjitha këto nuk arrihen atëherë sipas Selës, është e patjetërsueshme procesi i ndarjes së shtetit./tvsh

GRUEVSKI E ZAEV SOT TAKIM NË STRASBURG

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot pasdite në Strasburg do të takohen me tre eurodeputetët, Riçard Hovit, Ivo Vajgël dhe Eduard Kukan.

Ata, siç pritet, do të bisedojnë për dalje nga kriza aktuale politike në vend.

Paraprakisht, Hovit, Vajgël dhe Kukan në Bruksel kanë pasur takime me përfaqësues të VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, por hollësira nga takimet nuk janë kumtuar.
Eurodeputeti Hovit mori pjesë në protestën e së dielës që u organizua nga LSDM-ja dhe disa organizata joqeveritare, ndërsa dje ka pasur takim me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së.

“Unë jam këtu që të vëzhgoj dhe nuk do të tentoj të locoj faj te njëra apo pala tjetër, kjo nuk është sjellje përgjegjëse, në rast se jeni pjesë e ndërmjetësimit, i cili duhet ta zgjidh krizën politike”, deklaroi Hovit.
Gjatë ditës së sotme, Gruevski dhe Zaev do të takohen edhe me eurokomisarin për negociata për zgjerim Johanes Han, i cili do të tentojë t’i pajtojë kundërshtarët politikë, me qëllim të tejkalimit të situatës politike në vend.

Për këtë detyrë, Han mbrëmë u inkurajua edhe nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve-anëtare të BE-së, të cilët në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së mbajtën mbledhje të shkurtë edhe për situatën politike dhe të sigurisë në Maqedoni dhe arritën marrëveshje që më hollësisht të përqëndrohen në këtë çështje në qershor.

Maqedonia, Turqia dhe Hungaria, nesër, megjithatë do të jenë në rend të ditës edhe të sesionit të ri të Parlamentit evropian. Eurodeputetët në Strasburg do të debatojnë për krizën politike në Maqedoni dhe ngjarjet në Kumanovë.

MUSTAFA NUK IA DHA HYSENIT INFORMACIONET QË MUND TË EVITONIN KUMANOVËN

Ka mundur të parandalohej vrasja e nëntë kosovarëve në Kumanovë, në rast se për lëvizjet e tyre të dyshimta kryeministri Isa Mustafa do të përcillte te Ministria e Punëve të Brendshme informacionet që ia kishte vu në dispozicion Inteligjenca, kanë theksuar të hënën deputetët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.

Gjatë dëgjimit në Komision, ministër i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar të mos i jenë përcjellë informatat nga shefi i tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

Defekti në komunikimin Mustafa-Hyseni është zbardhur pasi deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” (LVV), Aida Dërguti, ka ngritur çështjen e një raporti që Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) në fillim ia kishte përcjellë kreut të Qeverisë, por edhe presidentes Atifete Jahjaga. Dërguti është anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, por edhe e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.

REHABILITIM PUBLIK PËR JANKULLOVSKËN – NË MITING PËRKRAH GRUEVSKIT

Ish-ministrja e Brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska në mitingun e madh të VMRO-DPMNE-së që po mbahet sonte në Shkup, po qëndron pranë kryeministrit dhe liderit partiak Nikolla Gruevski.

Në rend të parë, përveç bashkëshortes së Gruevskit janë edhe ministrat maqedonas të Qeverisë, por ajo që më së shumti bie në sy është Jankullovska përkrah tij.

Ministrja e policisë, e cila u bë e famshme, mes tjerash, edhe për urrejtjen ndaj shqiptarëve, që u pa nga telefonatat e përgjuara që i publikoi opozita, ditë më parë dha dorëheqje, bashkë edhe me një ministër, Mile Jankullovskin, dhe me shefin e kundërzbulimit, kushëririn e Gruevskit, Sasho Mijallkov.

Këta të tre, siç dëshmuan edhe telefonatat e publikuara, ishin njerëzit më të afërt të Gruevskit dhe bashkëpunëtorët kryesorë në veprimet korruptive dhe të tjera jodemokratike të kësaj qeverie.

Është bindje e përgjithshme se largimi i tyre nga kabineti i Gruevskit u bë si rezultat i trysnisë së madhe që ushtruan diplomacia amerikane dhe ajo e BE-së, e në tentim për të zbutur sado pak krizën e madhe në të cilën gjendet kjo Qeveri. kp

NESËR NË PRISHTINË PROTESTË PËR TË ARRESTUARIT NË KUMANOVË

Është një protestë tjetër që është thirr nga familjarët e ish-luftëtarëve të UÇK-së që morën pjesë në konfliktin në Kumanovë.

Përmes një thirrje publike ata po thonë që në Kumanovë u luftua për drejtësi dhe dinjitet të shqiptarëve dhe përmes protestës e cila do të organizohet në mbështetje të organizatave të luftës, veteranëve dhe studentëve dhe do të adresojnë kërkesat e tyre.

Ky grup përmes protestës do të kërkoj urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve që janë të arrestuar.

Ja kërkesat e tyre

-Kërkojmë urgjentisht nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të ndërmarrin veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve të vet që janë të arrestuar e që po torturohen nga regjimi sllavo maqedonas dhe servilet shqiptarë në institucione.

-Kërkojmë urgjentisht që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë veprimet konkrete në identifikimin dhe sjelljen e trupave që ranë dëshmorë për liri dhe drejtësi të shqiptarëve në Maqedoni.

-Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj institucioneve tona, të cilat për më shumë se një javë qëndrojnë indiferent ndaj qytetarëve të vet, të cilët vriten, rrahën, e torturohen nga regjimi policor e diktatorial i Maqedonisë.

-Ne protestojmë në shenjë revolte ndaj deklarimeve të udhëheqësve të institucioneve të Kosovës, që i quan terrorist ish luftëtarët e lirisë. Ata djem nuk kursyen asgjë nga vetja për lirinë e shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës e Maqedoni.

Shqiptarët janë mësuar të jetojnë me dinjitet. Shqiptarët asnjëherë nuk pranuan dhe nuk do të pranojnë të jetojnë të nëpërkëmbur. Dinjiteti dhe liria e bashkëkombësve tanë në Maqedoni është përgjegjësi e të gjithë neve. Patriotizmi e përkushtimi i djemve tanë për kombin shqiptarë është dëshmuar nga veprat e tyre. Ata kanë qenë pjesë e çdo lufte çlirimtare duke e mbajtur gjallë ëndrrën tonë për bashkim të trojeve etnike shqiptare.

Protesta thirret për 20.05.2015 (E mërkure) dhe organizohet para objektit të Qeverisë. kp


Send this to a friend