VOAL

VOAL

Mbahet protesta e madhe në Shkup pas skadimit të ultimatumit të Revolucionit të Larmë (fotot)

Protestuesit para PSP-së brohorasin “Nikolla Nikolla, shutka nuk të ik Nikolla!”. Më herët në rrjetin social ‘Revolucioni Laraman’ ka bërë thirrje për protesta masive.

“Sonte në 19 ne do të mblidhemi para Prokurorisë Speciale, simbolit të drejtësisë! Ne do të jemi të e bashkuar, të fortë, vendimtarë dhe të përgjegjshëm! Ne kërkojmë që qytetarët të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës dhe të vijnë për të siguruar pjesëmarrjen tonë! Ne kërkojmë që kriminelët të përgjigjen dhe do t’i vëmë në presion institucionet për të treguar se vjedhja dhe shtypja nuk mundet të jetë me aktivitete të paguara! Ne kërkojmë qeveri kalimtare dhe nuk tërhiqemi derisa të jemi të sigurt se qeveria do të sigurojë zgjedhje të lira dhe votim të lirë! Qytetarët nga e gjithë Maqedonia, shihemi! “, thuhet mes tjerash në profilin ‘Revolucioni Laraman’ në Facebook.

“Ne nuk falim! Ne nuk do të lejojmë që bisedimet për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë të udhëhiqen pas dyerve të mbyllura! Jemi të  hidhëruar dhe të zemëruar me elitat politike të cilët një kohë të gjatë na mbajnë status quo-së me negociata të dështuara dhe bisedime jotransparente pa pjesëmarrjen e qytetarëve! Mjaft e kemi pasur nga negociatat në të cilat ne jemi vëzhgues të heshtur dhe pasiv! Zëri ynë duhet të dëgjohet nga qeveria, dhe opozita! Dhe kjo do të dëgjohet! Nëse jo në atë dhomë të vogël për negociata, ju do të na dëgjoni nga rrugët dhe sheshet e këtij vendi! “, apelojnë aktivistët nga lëvizja ‘Protestoj’.

Protestës i është bashkangjitur edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev, si dhe politikanë të tjerë opozitarë.

protesta2vvprotesta3vvv

Maqedonia: Dështojnë bisedimet, paralajmërohen protesta

Foto nga protestat e kaluara

Për të hënën janë paralajmëruar protesta, nga ana e organizatorëve të “Revolucionit shumëngjyrësh”, pasi të dielën në mesnatë skadon ultimatumi i sektorit civil që Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë,të prononcohet rreth kushtetutshmërisë së Prokurorisë Speciale Publike.

Organizatorët e lëvizjes “Protestoj” dhe “Revolucionit shumëngjyrësh”, që përfaqëson mbi 80 organizata joqeveritare, kërkojnë formimin e një qeverie teknike në nivel ekspertësh, e cila do të ketë për detyrë që ta përgatisë vendin për zgjedhje të besueshme, përfshirjen e sektorit civil në bisedimet që zhvillojnë partitë politike për dalje nga kriza, si dhe dorëheqjen e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Zëdhënësi i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, Lidhjes Social Demokrate, Petre Shilegov, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se partia e tij i mbështet protestat e qytetarëve, sepse ato paraqesin një bosht të rëndësishëm për ngritjen e institucioneve të shëndosha në përputhje me standardet që vlejnë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

“Në këtë moment, vetëm nëpërmjet protestave mund të krijohet një klimë e shëndoshë për realizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, andaj i ftojmë qytetarët që sa më masivisht të dalin në protesta për t’u thënë jo politikave të pushtetit, të cilat i kanë robëruar institucionet e shtetit duke i vënë në funksion të interesave të partive në pushtet”, ka thënë Shilegov.

Protestat e qytetarëvetë “Revolucionit shumëngjyrësh” janë mbështetur edhe nga Lëvizja “Besa”, e cila ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin e saj tashmë të deklaruar disa herë, se i mbështet të gjitha aksionet qytetare që kanë për qëllimin, siç janë shprehur, rrëzimin e këtij regjimi anti-demokratik, anti-qytetar, por edhe anti-shqiptar.

“Rrjedhimisht, te ne nuk ka ndryshuar asgjë në këtë pikëpamje. Ajo që ka ndryshuar është opinioni publik në Maqedoni: pas protestës së 9 majit tashmë te shqiptarët partia më e madhe opozitare është pikërisht Lëvizja ‘Besa’, ndërsa këtë e pohoi edhe një institucion relevant amerikan siç është IRI”.

“Andaj është e pakuptimtë dhe e padrejtë që ne të mos jemi pjesë e bisedimeve për dalje nga kriza dhe shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në ato bisedime, sepse, siç e kemi thënë disa herë, dy partitë shqiptare të asaj tryeze, janë vetëm përkthimi maqedonisht i qëndrimit të VMRO DPMNE-së”, ka deklaruar Zeqiria Ibrahimi, zyrtar i lartë i Lëvizjes “Besa.

Pastrimi i listës së votuesve dhe reforma në media janë dy pikat për të cilat partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes politike të Përzhinos nuk arrijnë të përafrojnë qëndrimet e tyre në përpjeke për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politikë, në të cilën ndodhet.

“Bisedimet janë ndërprerë, sepse VMRO-DPMNE nuk shpreh vullnet të mirë për të zgjidhur dy çështjet kyçe për sigurimin e kushteve minimale që të organizohen zgjedhje të besueshme siç është pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në media, përkatësisht duke zvarritur zgjidhjen e tyre që nga nëntori i vitit të kaluar”.

“Bëhet fjalë për 330 mijë votues kontestues të cilët figurojnë në listën zgjedhore. Tashmë është e qartë për të gjithë,se VMRO-DPMNE i ka fituar zgjedhjet përmes fushatave të rrejshme të realizuara me mjetenga arka e shtetit në media të caktuara dhe një liste zgjedhore, e cila nuk përket me realitetin”, është shprehur Shilegov.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se është pikërisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ajo që bën politikë destruktive në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Lidhja Social Demokrate është ajo që iu shmang bisedimeve në Vjenë dhe tashmë dy herë i shmangi zgjedhjet dhe ballafaqimin me popullin. VMRO ka qenë dhe mbetet konstruktive në këtë situatë, pasi si parti ofruam dhe kemi për të ofruar edhe më shumë projekte në të mirë të qytetarëve”, theksohet në komunikatën për media të VMRO DPMNE-së të udhëhqur nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.

Ndërkaq, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim zhbllokimin e procesit të bisedimeve e sheh në shtytjen që mund t’i bëjë këtij procesi bashkësia ndërkombëtare.

“Në kuadër të bisedimeve në nivelet e dyta, shpresojmë që me përkrahjen e faktorit ndërkombëtar të arrihet të dilet nga kjo krizë, e cila zgjatë tanimë më shumë se një vit e gjysmë në vend”, ka theksuar Teuta Arifi, nënkryetare e partisë shqiptare në pushtet, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Mbrëmë aksident në Tetovë, humbin jetën dy të rinj shqiptarë

TETOVË – Një aksident me pasojë dy të vdekur ka ndodhur mbrëmë ne afërsi të një karburanti në Tetovë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:00 në autostradën Tetovë- Shkup, në afërsi të Zonës së Lirë Ekonomike.

Sipas mediave vendase dy të rinjtë që kanë humbur jetën lëviznin me një motoçikletë e cila ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një mur.

Viktimat janë A.B dhe H.H, 25 dhe 20 vjeç të dy shqiptarë nga Tetova. Autoritetet kanë nisur hetimet për ngjarjen.

Maqedoni – Bastardimi institucional i gjuhës shqipe

Gabimet gjuhësore te mbishkrimet në gjuhën shqipe në Maqedoni

Përdorimi i gjuhës shqipe në Maqedoni po merr përmasa shqetësuese, duke marrë parasysh gabimet e shumta gjuhësore që vërehen nëpër mbishkrimet e atyre pak institucioneve që kanë nisur përdorimin e saj zyrtar. E njëjta gjë ndodh me gjuhën edhe në tabelat udhëzuese, transportin publik, faturat e ndërmarrjeve publike, e kështu me radhë.

Në bazë të ndryshimeve kushtetuese të paskonfliktit të vitit 2001, gjuha shqipe u bë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, por përdorimi i saj vazhdon të hasë në pengesa të shumta, ndërsa edhe në ato vende ku zbatohet, përdoret me bastardime të shumta.

“Mendoj se ka një papërgjegjësi totale ndaj përdorimit të gjuhës shqipe, veçmas nga institucionet publike, nuk funksionon asnjë lloj mbrojtje institucionale. Domethënë duhet të ekzistojnë sanksione për çdo gabim që i bëhet gjuhës shqipe, sepse këto çoroditje gjuhësore, jo vetëm gabime ortografike, por edhe gabime sintaksore nëpër dokumentacionet zyrtare, thjesht e cenojnë atë që ne e quajmë kështjellë e gjuhës”.

“Mendoj se para së gjithash, duhet të funksionojë sanksionimi për të gjithë ata që i lejojnë këto bastardime të gjuhës shqipe”, thotë Salajdin Saliu, profesor i gjuhës shqipe në Universitetin e Tetovës.

Dervish Halimi, përkthyes i autorizuar gjuhësor, thotë se përkthimet nga gjuha shqipe bëhen nga njerëz jo profesionistë, të cilët marrin guximin t’i hyjnë një pune që nuk ka asgjë të përbashkët me profesionin e tyre. Sipas tij, kjo mundësohet nga drejtuesit maqedonas të institucioneve, të cilët neglizhojnë gjuhën shqipe duke ia lënë çështjen e përkthimeve kuadrit joadekuat.

“Moskujdesi ndaj zbatimit të gjuhës bie normalisht mbi ata që e përfaqësojnë vullnetin politik të shqiptarëve. Ata, nëpërmjet funksionarëve që i kanë aty, duhet të kontaktojnë profesionistët e gjuhës dhe të gjitha botimet para se të dalin në opinion, t’i filtrojnë në aspektin profesional”, konsideron Halimi.

Ai thekson rëndësinë e mbrojtjes me ligj të çështjes së përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe, ashtu siç është rregulluar edhe për gjuhën maqedonase.

“Në qoftë se duam që gjuhët të kenë të njëjtin nivel, atë fillimisht duhet të barazohen me ligj dhe pastaj të kujdesemi edhe për zbatimin e tyre në praktikë. Pra, kjo duhet të realizohet përmes një marrëveshjeje politike që kjo çështje të marrë formën e ligjit dhe më pas, edhe ne si intelektualë, si shkencëtarë, si profesionistë, të mundemi nesër të kemi përgjegjësi nëse nga pakujdesia bëjmë gabime të tilla”, thekson Halimi.

Qemal Musliu, këshilltar në Kuvendin e Shkupit thotë se çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, si dhe e zbatimit të saj të drejtë, disa herë është ngritur nga këshilltarët e BDI-së që përfaqëson, por deri më tani nuk është arritur ndonjë rezultat konkret.

Edhe pse çështja e përdorimit zyrtar të shqipes rregullohet me akte ligjore të veçanta nga Kuvendi i Shkupit, Musliu thotë se çështja duhet të rregullohet me një ligj të ri nga Kuvendi i Maqedonisë.

“Kohët e fundit kemi një ngritje të nivelit të përdorimit të gjuhës shqipe, por me gabime gjuhësore sa të duash, si në autobusët urban dhe në tabelat udhëzuese nëpër qytet. Për këtë arsye kam kërkuar që Kuvendi i Shkupit të ngrejë një iniciativë për formimin e një organi, i cili do ta mbikëqyrë edhe përdorimin e gjuhës shqipe, por edhe drejtshkrimin e gjuhës shqipe që të mos bëhen gabime gjatë përdorimit të saj, Por, fatkeqësisht kjo punë duhet të rregullohet me ligj, e ligjet dihet se miratohen në Kuvendin e Maqedonisë”, thotë Musliu.

Probleme me zbatimin e gjuhës shqipe ka edhe në shumë sfera tjera, si në tekste shkollore, botimin e ligjeve, por edhe në shumë ndërmarrje tjera private, të cilat përkthimet kryesisht i bëjnë nga interneti, që në të shumën e rasteve e humbin edhe kuptimin e vetë prodhimit.

Gjuha shqipe edhe pse është gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, ajo deri më tani ka gjetur zbatim të pjesshëm vetëm në Kuvend, si dhe në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të popullatës të përgjithshme. REL

BDI kërkon dorëheqjen e Ivanovit – opozita maqedonase votë mosbesimi

Presidenti Ivanov në Kuvendin e Maqedonisë

Deputetët e opozitës në Maqedoni, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, thanë në Kuvend se me aktet për faljen e politikanëve që hetohen nga Prokuroria Speciale, presidenti Ivanov ka shkelur Ligjin për falje dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

Ata kanë nisur një propozim për votën e mosbesimit për presidentin e Maqedonisë Gjorgje Ivanov pas vendimit të tij për faljet.

“Gjorgje Ivanov si president i shtetit duhej të ishte sot këtu dhe hapur të thotë se kush e urdhëroi ta marrë një vendim të tillë edhe përkundër asaj se qytetarët në vazhdimësi janë shprehur kundër këtij vendimi duke protestuar për çdo ditë. Por, gjithsesi dhe bashkësia ndërkombëtare qartë është shprehur se përpara drejtësisë të gjithë duhet të jenë të barabartë”, ka thënë Goran Misovski deputet i LSDM-së.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se për t’u zgjidhur kriza politike Gjorgje Ivanov duhet të japë dorëheqje nga detyra e presidentit të shtetit.

“Ne si parti mendojmë se si akt moral Gjorgje Ivanov duhet sa më parë të ofrojë dorëheqje. E themi këtë sepse mendojmë se Ai ka rrënuar imazhin e vendit njëherësh duke nxitur revoltë tek qytetarët për çka ata kanë dalë dhe në rrugë për të protestuar. Mendojmë se dorëheqja e Ivanovit do t’i hapte rrugë Maqedonisë që të dal nga kiza”, tha për Radion Evropa e Lirë Rafiz Haliti nga BDI.

Por, deputetët e VMRO DPMNE-së në pushtet të udhëhequr nga ish kryeministri Nkolla Gruevski në foltoren e Parlamentit të Maqedonisë thanë se kërkesa për votën e mosbesimit është tërësisht e paqëndrueshme dhe nuk bazohet në argumentet ligjore.

Vlatko Gjorcev deputet i VMRO DPMNE-së ka mbrojtur qëndrimin se përmes kërkesës për përgjegjësi synohet të goditet personaliteti i Gjorgje Ivanovit si president i shtetit.

“Gjorgje Ivanov si president i këtij shteti përgjigjet vetëm para qytetarëve të Maqedonisë dhe në momentin që ata kanë mundur të votojnë kanë shprehur besimin e tyre ndaj Ivanovit me një dallim të thellë ndaj konkurrentëve të tij për dy mandate radhazi”, ka theksuar deputeti i VMRO DPMNE-së Vllatko Gjorcev.

Për të filluar proceduara para Gjykatës Kushtetuese për konfirmim e përgjegjësisë së presidentit, nevojitet që paraprakisht pro votës së mosbesimit të deklarohen 82 deputetë.

Iniciativën për votën e mosbesimit për presidentin e Maqedonisë e ka ngritur partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe e njëjta është mbështetur dhe nga deputetët shqiptarë, ata të Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Partisë Demokratike Shqiptare pas vendimit të presidentit Ivanov për faljen e 56 personave.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare më 27 maj tërhoqi një pjesë të vendimit të tij për faljen e politikanëve për ta tërhequr plotësisht vendimin më 6 qershor.

Ish kryeministri Gruevski merret në pyetje

Ish kryeministri Gruevski merret në pyetje

Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, është marrë në pyetje nga Gjykata penale e Shkupit lidhur me përfshirjen e tij në rrënimin e një objekti të një afaristi, rast ky që ishte pjesë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve.

Gruevski në pyetje është marrë nga prokurorët e prokurorisë speciale e themeluar për hetimin e dhjetëra zyrtarëve të përfshirë në vepra të rënda penale, ku bën pjesë ai së bashku me disa ministra të kabinetit të tij.

Ish kryeministri ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij duke thënë se janë konstruktime të opozitës.

Hetimet ndaj Gruevskit dhe zyrtarëve kanë rifilluar pas anulimit të plotë të vendimin për faljen e tyre nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Prokuroria Speciale ka nisur hetime për pesë raste ku janë përfshirë 56 zyrtarët të lartë të akuzuar për mashtrime zgjedhore, presione ndaj pushtetit gjyqësor, afera korruptive dhe vepra tjera.

Nesër prokuroria tregon cilët politikanë shqiptarë e maqedonas arrestohen

Jo zyrtarisht mësohet se PSP do të del me aktakuzë ndaj disa politikanëve të cilët gjatë 10 viteve të fundit kanë bërë vepra penale dhe kanë dëmtuar buxhetin shtetëror, nuk perjashtohet mundesia te jene shqiptarë.

Ende nuk duhet se vallë bëhet fjalë për politikanë maqedonas apo shqiptarë. Zhurnal neser me fillim në ora 11:00 do të ua sjell informacionet më të reja nga press-konferenca e jashtëzakonshme e PSP.

Deri më tani PSP ka publikuar aferat, “Titanik”, “Fortesa”, “Tortura” dhe “Transporter”.

Jozyrtarisht mesohet se ka te beje me keqperdorimet e disa tenderave ne disa ministri dhe institucineve tjera shteterore.

Prokuroria kërkon nga Ivanovi tërheqjen e plotë të faljeve

Më shumë se 60 zyrtarë po hetohen nga prokuroria speciale për përfshirje në vepra të rënda penale, kryesisht të kriminalitetit financiar, kanë bërë të ditur përfaqësuesit e kësaj prokurorie, në paraqitjen e parë që nga tërheqja e pjesshme e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve.

Procedura kundër këtyre personave, por edhe të tjerëve që mund të jenë objekt hetimi, nuk është ndërprerë, edhe pse është vështirësuar me vendimin selektiv të presidentit të shtetit, ka deklaruar prokurorja Lençe Ristevska.

“Vendimi për falje dhe më pas ai për tërheqjen e pjesshme të faljeve më duhet të them se kanë vështirësuar zbatimin e sundimit të së drejtës në vend, pasi kemi qasje selektive. Duhet të na mundësohet qasje e barabartë, jo selektive, të kemi duar të lira për të vepruar, për të hetuar të gjitha rastet që kemi ngritur, por edhe të tjerat që mund të hapim, varësisht hetimeve që kanë për bazë materialet e përgjuara telefonike”, ka deklaruar Ristevska.

Ajo tha se prokuroria speciale ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me shumë pyetje që i janë drejtuar presidentit e ndër më kryesorja se nga i ka marrë emrat e personave që ka falur, kur për ta askush nuk ishte në dijeni përveç prokurorisë speciale.

Ajo ka pranuar se prokuroria nuk i është përmbajtur afateve për nisjen e proceseve gjyqësore ndaj të dyshuarve, por kjo, sipas Ristevskës, është pasoja e angazhimit të madh që ka prokuroria në grumbullimin e provave të shumta.

Veç kësaj, sipas prokurorisë speciale, punën e ka penguar edhe vendimi i presidentit, nga i cili ka kërkuar që sa më shpejt të jetë e mundur të tërheq edhe vendimet tjera të faljes dhe të gjitha personat e dyshuar për vepra të ndryshme penale të përgjigjen para drejtësisë. Përveç nga presidenti, Ristevska tha se pengesa dhe refuzimi bashkëpunimi ka edhe nga institucionet tjera.

“Kur jemi të mosbashkëpunimi me organet shtetërore më duhet të them se kemi probleme të shumta, që nga refuzimi i dorëzimit të dokumenteve të kërkuara nga ana jonë, apo edhe nga interpretimi i ndryshëm i ligjeve që zvarrisin procedurat që kemi nisur”, tha Ristevska, duke refuzuar ndërkohë të komentojë akuzat e zyrtarëve se prokuroria speciale punon në mënyrë selektive dhe se është vënë në shërbim të opozitës.

Në shënjestër të prokurorisë janë zyrtarët më të lartë të partisë në pushtet, VMRO DPMNE, kryetari i saj, Nikolla Gruevski, ish-ministrat Gordana Jankullovksa dhe Mile Janakisevsi, ish-kreu i drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhe shumë zyrtarë të tjerë të dyshuar për keqpërdorime të shumta, afera financiare, presione ndaj gjykatave, mediave, mashtrime zgjedhore, konfrontim fizik me kundërshtarët politik dhe vepra tjera.

Të gjitha këto personalitete të larta u gjenden në listën e faljeve të presidentit, për t’i pamundësuar prokurorisë speciale ndjekjen e tyre. Por, pas reagimeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare dhe protestave të opozitës, që po zgjasim më shumë se një muaj, presidenti me ndihmën e ndryshimeve ligjore të miratuara nga partitë në pushtet, tërhoqi vendimet për falje, por jo të tërat duke lënë sërish pengesa në punën e prokurorisë.

Ndryshe, nga prokuroria speciale sërish paralajmëruar nisjen e hetimeve edhe për rastin “Monstra”, të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas, e për të cilët me burgim të përjetshëm janë dënuar gjashtë shqiptarë. Nga prokuroria thonë se nuk do të kursehet askush ndaj ndjekja penale dhe të gjithë shkelësit e ligjit do të nxirren para drejtësisë. (REL)

Protestat në Maqedoni përshkallëzojnë format e veprimeve

Protestat në Shkup, 2 qershor 2016

Lëvizja Protestoj në Maqedoni ndryshon dinamikën dhe formën e protestave. Nga hedhja e ngjyrave mbi objektet qeveritare, protestuesit po bllokojnë tani edhe udhëkryqet.

Protestat e organizuara nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Protestoj” kanë hyrë në javën e tetë. Drejtuesit e “revolucionit shumëngjyrësh” thonë se protestat, përpos ngjyrosjes së institucioneve shtetërore, do të shtrihen në më shumë dimensione, siç edhe bënë gjatë ditës së mërkurë kur bllokuanudhëkryqet kryesore në kryeqendrën e Maqedonisë Shkup, duke paralizuar tërësisht trafikun. Aleksandar Donev thotë se qëllimi është që pushteti të detyrohet të dëgjojë kërkesat e qytetarëve.

“Bëhet fjalë për një ri-formatimtë protestave me atë që do të bllokohet jeta normale në kryeqytet dhe jo vetëm, sepse në këtë gjendje të thellë krize nuk mundet të mbyllim sytë para realitetit dhe të bëjmë sikur jetojmë në një shoqëri normale, meqë në këtë situatë asgjë s’është normale. Institucionet janë vënë në mbrojtje të krimit dhe jo ta luftojnë atë…”, thotë Aleksandar Donov.

Ndërkaq, Hasan Jashari, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, konsideron se nuk mund të priten efekte të menjëhershme nga shprehja e pakënaqësisë së qytetarëve kundrejt politikave të qeverisë, përderisa strukturat udhëheqëse të qeverisë kanë shtrirë rrënjët thellë në çdo pore të shoqërisë.

“Këtu nuk flitet për një garniturë njerëzish që përfshin pesë ose gjashtë ministra, dhjetëra deputetë, udhëheqës të dy ose tre partive politike, por flitet për një strukturë jashtëzakonisht të madhe të përbërë nga më shumë politikanë, deputetë, ministra, drejtorë të institucioneve shtetërore. Këtu kemi dhe përfshirjen e bankave , institucioneve të ndryshme financiare.”

“Gisht ka edhe policia sekrete dhe e gjithë kjo rezulton me atë se kjo strukturë udhëheqëse e qeverisjes aktuale, e cila kontrollon kaq shumë para, ka pas mundësi të ushtrojë kaq shumë pushtet është shumë vështirë të demontohet thënë kushtimisht lehtë përmes protestave”, vlerëson Hasan Jashari, sociolog.

Megjithatë, Aleksandar Donev, nga lëvizja “Protestoj”, shpreh bindjen e tij se presioni që bën revolucioni shumëngjyrësh ka dhënë frytet e para.

“E dini se presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, u detyrua të tërheqë një pjesë të vendimit të tij për falje edhe pse më duhet të theksoj se ne nuk jemi të kënaqur me tërheqjen e pjesshme të këtij vendimi. Kjo sepse të gjithë duhet të jenë të barabartë dhe këtu nuk do të lejojmë asnjë kompromis deri në tërheqjen e plotë të vendimit për falje. Gjithashtu kërkojmë dhe dorëheqjen e presidentit të shtetit, Gjorge Ivanov.”

“Nga Gjykata Kushtetuese kërkojmë që të prononcohet sa më parë rreth kushtetutshmërisë së funksionimit të Prokurorisë Speciale, duke larguar çfarëdo qoftë presioni juridik gjatë funksionimit të këtij institucioni, formimin e një qeverie teknike e cila do ta përgatisë Maqedoninë të futet në një proces të besueshëm zgjedhor”, thotë Alsandar Donev.

Protestat e organizatave joqeveritare kundër politikave të qeverisë, përveç partisë më të madhe në opozitë, Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë, janë mbështetur dhe nga disa parti shqiptare, të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament.

Ndryshe, protestat e organizuara nga Lëvizja “Protestoj” për çdo ditë fillojnë në orën 18-të, para godinës së prokurorisë speciale, për t’i dhënë mbështetje këtij institucioni, dhe vazhdojnë me ngjyrosjen e objekteve të Shkupit 2014, si dhe institucioneve të shtetit. (REL)

Ekspertët: Mbi 50 mijë shqiptarë të Maqedonisë pa shtetësi

Mijëra shqiptarë vazhdojnë të jenë pa nënshtetësinë e Maqedonisë dhe ky problem vazhdon të heshtet, edhe para diplomatëve të lartë të BE-së, me pretendimet se është harmonizuar ligji për shtetësi sipas standardeve evropiane.

Mbi 50 mijë shqiptarë vazhdojnë të jenë pa shtetësi dhe kryesisht pa te kanë ngelur të gjithë ata që janë lindur në Maqedoni dhe jetojnë me dekada të tëra, ndërsa pas periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe në fillimet e pavarësimit të Maqedonisë janë gjetur jashtë vendit. Kjo kategori e qytetarëve përbëhet kryesisht nga shqiptarë që për mbi 50 vite e më tepër jetojnë në Maqedoni, por që kanë origjinë nga zonat e tjera shqiptare nga Kosova, Lugina e Preshevës apo ish-republikat e tjera jugosllave. Një shifër e tillë e përafërt jepet edhe nga ekspertë dhe avokatë që janë marrë me lëndë të tilla, të cilët theksojnë se kjo problematikë po ndjek dhe ka vënë në hallë shumë familje shqiptare, por që tashmë ato janë lënë në harresë totale, njofton agjencia e lajmeve INA.

Eksperti për çështje juridike, i njohur si ish-avokat që është marrë me problematikën e tillë, prof.dr. Osman Kadriu ka theksuar kohë më parë se për shqiptarët në Maqedoni çështja e nënshtetësisë është e politizuar, ndërkohë që sipas tij edhe Ligji mbi shtetësinë i takon grupit të ligjeve diskriminuese, meqenëse parashikon shumë kushte dhe formalitete për rregullimin dhe fitimin e nënshtetësisë së Maqedonisë.

“Bie në sy se prej gjithë kushteve dhe formaliteteve që kërkon Ligji për shtetësinë, një prej tyre është tepër rigoroz. Fjala është se në procedura administrative për fitimin e shtetësisë e cila zhvillohet në MPB, në procedurë involvohet edhe sigurimi shtetëror i cili duhet të jep mendim paraprak”, ka theksuar eksperti Osman Kadriu.

Sigurimi shtetërorë sipas tij, për shumë kandidatë shqiptarë ka dhënë mendim negativ në procedurë duke shfrytëzuar të drejtën e tij për të dhënë një mendim dhe vlerësim.

”Në atë procedurë kemi pasur raste që të kemi edhe shpërdorim të pozitës dhe tejkalim të autorizimit zyrtarë” thotë eksperti i jurisprudencës Kadriu.

Një pjesë e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit vijnë në pushime me pasaporta të huaja, gjermane apo belge, të cilët thonë i marrin pa asnjë problem, pas plotësimit të kushteve të vendqëndrimit prej tre deri në 7 vite. “Këtu është diktaturë e egër dhe nuk të ndihmon askush. Ne i tregojmë gjermanëve se si ndodh që të refuzohemi për shtetësi, ata çmenden për dukuri të tilla”, thekson Iljasa Nebiu, një mërgimtarë, i cili ka hequr dorë tashmë nga shtetësia e Maqedonisë, edhe pse ai thotë se është i lindur dhe familja e tij jeton më shumë se 60 vite në këtë vend.

Qytetarët e pyetur që nuk kanë shtetësi theksojnë se janë të zhgënjyer nga të gjitha institucionet, të pyetur edhe për Avokatin e Popullit. “Po kot kemi bërë ankesa të ndryshme, ndërsa MPB nuk merr në dorë askënd”, thekson Avdiu, një kryefamiljar kumanovarë që po ashtu nuk posedon shtetësinë. Ai pohon se edhe të moshuarat 70-80 vjeçare që jetojnë në Maqedoni nuk kanë shtetësi dhe nuk u jepet ajo.

Shekerinska: Duan të më arrestojnë

Zëvendëskryetarja e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Radmilla Shekerinska ka bërë të ditur se policia dëshiron ta thërrasë  edhe atë në bisedë informative për shkak të pjesëmarrjes në protestat e “Revolucionit të Larmë”. Këtë informacion Shekerinka e ka publikuar në facebook, raporton “Lajm” i Maqedonisë.

“Dëgova që më keni thirrë në bisedë informative. Mos dërgoni isharete, më thirrni! Nuk është rëndë të më gjeni: çdo ditë ora 6, para PSP-së”, ka shkruar Shekerinka, duke bërë me dije se nuk frikohet prej policisë.

Menduh Thaçi: Mund të përsëritet ‘Lagjja e Trimave’

Voal – Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi në një intervistë për “Al Jazeera Balkans”, ka vlerësuar se është e mundur të përsëriten ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015 në Kumanovë. Sipas tij, në këtë situatë të turbullt politike gjithçka është e mundur, por shqiptarët nuk guxojnë që të bien pre dhe të zgjedhin një rrugë të tillë fatale për veten e tyre.

“Në një situatë të këtillë të paqartë, gjithçka është e mundur. Por, në mënyrë të përgjegjshme them se partia ime dhe unë personalisht asnjëherë nuk do të marrim pjesë në një skenar të këtillë. Jo pse jam altruist i madh dhe e dua Maqedoninë, por nga përvoja politike them se kjo gjë do të ishte një rrugë fatale për shqiptarët.

Unë flas për shqiptarët, pasi që jemi parti etnike. Do të ishte një rrugë fatale. Duhet që të mësojmë nga kjo përvojë serioze dhe të zgjedhim një rrugë paqësore dhe precize. Rruga jonë është NATO dhe Bashkimi Evropian”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.

Prokuroria do ta ndjekë penalisht edhe Thaçin

Nga lista e 56 gjithsej e të të falurve presidentit George Ivanov, sot ka tërhequr nga abolimi 22 persona.

Në press konferencën e sotme presidenti George Ivanovi theksoi se tërheq për abolimin e 22 personave, por nuk tha emrat e tyre.

Nga kabineti i presidentit kanë shpjeguar se emrat zyrtarisht do të jenë të njohur për opinionin, kur të publikohen në Gazetën Zyrtare.

Kjo është lista që Ivanovi sot vendosi të tërheqë abolimin, kështu duke i hapur rrugën Prokurorisë Speciale t’i hetojë rastet për këta persona:

Irena Misheva, kryetare e Këshillit të Qytetit të Shkupit

Mile Janakieski, ish-ministri i Transportit

Gordana Jankullovska, ish ministre e Brendshme

Lupço Dimovski, ish-ministër i Bujqësisë

Martin Protugjer, shef i kabinetit të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski

Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së

Bedredim Ibrahimi, anëtar i KSHZ nga PDSH-ja

Kiril Bozhinovski, Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë

Nikola Gruevski, ish-kryeministër, krye tar i VMRO-DPMNE-së

Toni Trajkovski, kryetar i Gazi Babës

Zoran Zaev, lideri i LSDM-së

Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit

Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit

Vladimir Todoroviq, ish-kryetari i komunës Qendër

Edmond Temelko, Kryetari i Pustecit të Shqipërisë

Vladimir Taleski, kryetar i komunës së Manastirit

Branko Palifrov, i punësuar në komunën e Strumicës

Branko Crvenkovski, ish-kryetar i LSDM-së, president dhe ish kryeministri i Republikës së Maqedonisë

Ismet Guri, ish-anëtar i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Çair

Sasho Mijalkov, ish-drejtor i DSK-së

Lupco Todorovski Radnik, ish-drejtor i Byrosë për siguri publike

Zoran Verushevski, ish-drejtor i DSK-së

Më 25 maj 2001 ra në fushën e betejës dëshmori Fadil Nimani, Komandant Tigri

Sot dita kur e rënies e dëshmorit Fadil Nimani, i njohur ndryshe si “Komandant Tigri”. Fadil Nimani ishte nga fshati Gërgoc i Gjakovës, një ushtarë shqiptar dhe dëshmor i luftës në Maqedoni.Komandant Tigri, iu bashkua forcave shqiptare, që luftonin edhe më tutje pas çlirimit të Kosovës për lirinë e shqiptarëve në territoret e administruara nga Maqedonia, gjatë viteve 2000.Më 25 maj të vitit 2001 bie dëshmor në Vaksincë të Kumanovës, duke komanduar Brigadën e 113-të “Ismet Jashari-Kumanova”.Në çdo përvjetor të rënies për liri, Fadil Nimanin e përkujtojnë duke u mbledhur me mijëra shqiptar në fshatin Vaksincë, ku edhe iu ngrit përmendorja.Fadil Nimani “Komandant Tigri”, nga fshati Gërgoc i Gjakovës, Kosovë ushtarak shqiptar, dëshmor i luftës në Maqedoni. Fadil Nimani ndryshe i njohur edhe me nofkën “Komandant Tigri” iu bashkua forcave Shqiptare, që luftonin edhe më tutje pas çlirimit të Kosovës për lirin e shqiptarëve në territoret e administruara nga Maqedonia gjatë viteve 2000.Më 25 maj të vitit 2001 bie dëshmor në Vaksincë të Kumanovës duke komanduar Brigadën e 113-të “Ismet Jashari-Kumanova”.Sot në çdo pervjetor te renies per liri, Fadil nimanin e perkujtojne duke u mbledhur me mijera shqiptare ne fshatin Vaksince, ku edhe iu ngrit përmendorja.

Deshmore ose jo, si te doni me quani, por amanetin per liri, vellezer ma ruani.(Fadil Nimani)

Gjate historise qindvjeçare te popullit tone,rajoni i Dugagjinit dhe veçmas te Gjakoves është i njohur per lufera te rrepta kunder pushtuesve te ndryshem. Ne fshatin Gergoc te ketij rajoni per trimeri,bujari dhe per atdhetarizem është e njohur familja Nimani, qe nga gjiri i vet ka nxjerre trima dhe atdhetare , por edhe deshmore…. Nga kjo familje është i njohur edhe emri i Fazli Mete Nimanit, i njohur per rezistencen e tij kunder pushtuesve sllave, qe denohet dhe mbahet ne burgun famkeq te Goli Otokut.Por, gjurmeve te te pareve te tij, do te shkoje edhe Fadil Bajram Nimani, i cili sikur te paret e tij, dikur edhe ai nuk u pajtua me okupimin dhe nenshtrimin e shqiptareve nen thundrren sllave. Fadil Nimani lindi me 07.04.1967 ne fshatin Gergoc te komunes se Gjakoves.Shkollen fillore e kreu ne vendlindje ,kurse te mesmen dy vjet ne Gjimnazin e Cermjanit, kurse dy vjet te tjera per te vazhduar ne shkencat matematiko-natyrore ne Gjakove. U shqua per vyrtytet me te larta te bujarise , trimerise,atdhedashurise.Pas mbarimit te shkolloes se mesme behet studenent ne SHLP “Bajram Curri” ne Gjakove,drejtimi i histori gjeografi ku diplomoi dhe mori titullin e arsimtarit. Gjithnje i vetedijshem se vetem zjarri i pushkes do ta çlironte Kosoven, ai pa ngurrim ne vitin 1996 futet ne radhet e UÇK-se per te marre pjese ne shum aksione te asaj kohe qe kryente UÇK-ja.Duke pare aftesite e tij intelektuale dhe ato ushtarake e emertuan komandant te njesitit TIGRAT, njesit qe operonte ne rajonin e Dushkajes. Fadilin nuk mundte ta pengonte propaganda e eger, qe bente Beogradi dhe qe se bashku me kete e benin edhe disa “politikan shqiptar” qe gjithnje thirreshin ne emrin e popullit, se jan per lirine dhe pavarsine e Kosoves, por ne anen tjeter ,ata ishin nenshtruar perveç roberise, edhe poshterimit ne tersi. Fillimi i luftes frontalete vitit 1998 shtronte nevoje te furnizimit me arme per luftetaret e UÇk-se, prandaj Fadili qindra here do te kaloje kufirin shqiptaro-shqiptar, per t’u sjelle arme shokeve te tij qe luftonin ne vijat e fronit.Ne qershor te vitit 1998 Komanda e Zones Operative te Dugagjinit Komandant TIGRIN e emeroi Komandant te Policise Ushtarake, mirepo ne kete kohe ai komandonte edhe batalionin “Rrufeja”. Ky battalion ishte stervitur ne Shqipëri nga oficere te Armates Shqiptare dhe ishte i gatshem per çdo perballje me armikun. Por, fundi i luftes nuk erdhi ashtu siq e kishte menduar Komandant Tigri dhe shume bashkeluftare te tij, ende nuk kishte permuhuar betimi i dhene para flamurit. Ne thundrren sllave ende rrenkonin tokat shqiptare. Kosova Lindore kishte mbetur nen regjimin serb, shqiptaret e Ilirides te njejtin fat, andaj shum liridashes nuk mund ta duronin kete.Nje ndihme te madhe dhe ne furnizim per te drejtat e tyre te IJRM nuk mundi t’a pengonte asgje dhe ai menjehere iu bashkangjite shokeve te tij atje.

Keshtu fillimisht formacionet te Ushtrise Çlirimtare Kombetare Fadili iu bashkangjite si ushtare, por duke pare aftesite e tij ushtarake ai emertohet Komandant i Brigades 113, qe mbante emrin e deshmorit qe ra ne lufte per lirine e Kosoves Ismet Jashari-Kumanova. Detyre te cilin e krey me nder dhe pergjegjsi te larte deri ne renien e tij heroike me 25 maj 2001 ne Vaksince te Kumanoves.

Poezi kushtuar Fadil Nimanit

»“KOMANDANT TIGRI”

Kush po ia çon flakën Ballkanit?

Kush po ia zbraps ushtrinë tiranit?

Yll’ i rrallë Fadil Nimani,

Në ballë të luftës zemërluani!

Dhe ndër më të parët Çlirimtarë,

Tigri* ësht kur ngritet zjarrë.

Me tre përkrenaret ngjeshur n’ballë,

Të dorëzohet s’di sa është i gjallë.

Penë e pushkë i kthen sllavit,

Shpirt Shkëlzeni* me zemër luftëtari

Dhe armikut i kallet data,

Kur po u shkon tankseve flaka.

Nga Kosova përsëri në beteja,

Me forcat serbe, n’luftime të reja.

Nga Presheva n’kala të Tetovës,

Çlirimtarë në zemrën e Kumanovës.

Lamtumirë Gërgocit të Gjakovës,

I thotë trimi i lirisë së Kumanovës.

N’Vaksincë i falet legjendarit,

Ia fal amanetin Ismet Jasharit

Autor i poezisë: Fejzulla Duraku

15 vjet nga rënia e komandant Tigrit

SHBA për Maqedoninë: Hoyt Brian Yee: Të tërhiqet plotësisht falja !

Voal – “Ligji për falje duhet urgjentisht të tërhiqet ngase pengon sundimin e së drejtës”, ka porositur zyrtarët e Maqedonisë zëvendës-ndihmës sekretari për çështje Evropiane dhe Euro-aziatike i SHBA-së, Hoyt Brian Yee, duke kërkuar nga partitë politike dhe liderët t’i japin mbështetje të plotë institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin drejtësisë, duke përfshirë këtu edhe Prokurorinë Speciale.

“Nëse liderët tërheqin abolicionin pjesërisht ose në mënyrë selektive kjo do të kontribojë në krijimin e ndjesisë për mosndëshkim dhe mungesë përgjegjësie në shtet. Përderisa nuk ka llogaridhënie dhe ballafaqim me drejtësinë për keqpërdorimet e mundshme në lidhje me skandalin e përgjimeve dhe krimeve të tjera, Maqedonia do të mbetet e ngujuar në këtë krizë politike dhe nuk do të mundet të ecë përpara NATO-s dhe BE-së. “ ka theksuar për mediat zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee pas takimeve intensive që ka realizuar gjatë dy ditëve në Shkup me liderët e katër partive politike nënshkruese të marrëveshjes së Përzhinos, duke theksuar se në të gjitha takimet në fokus ka qenë cështja e abolimit nga presidenti Gjorgje Ivanov.

Yee njëherësh u ka bërë thirrje partive politike dhe qeverisë së Maqedonisë “që me vepra dhe jo me fjalë” të angazhohen në zbatimin marrëveshjes politike, të njohur si marrëveshja e Përzhinës.

“Qeveria përmes veprave duhet ta dëshmojë përkushtimin e saj për të pasur një demokraci të fuqishme dhe pluralizëm, gjithashtu për të zbatuar reformat që u përcaktuan me Marrëveshjen e Përzhinës që nënkupton inkuadrimin e opozitës dhe sektorit civil në procesin e reformimit të vendit”.

“U bëjmë thirrje liderëve të Maqedonisë të zbatojnë reformat e Përzhinës, t’i forcojnë institucionet për të ndërtuar një Qeveri përfshirëse dhe me përgjegjësi”, ka theksuar zyrtari i lartë amerikan Hoyt Brian Yee.

Ai tha se nëse liderët veprojnë me përkushtim në drejtim të realizimit të obligimeve që dalin nga marrëveshja politike atëherë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë përkrahjen e saj të fuqishme për vendin.

“Institucionet e fuqishme dhe të pavarura janë nevojë urgjente e Maqedonisë. Ato duhet të jenë të lira për ta kryer punën e vet, pa ndërhyrje partiake dhe të kenë resurset e duhura, posaçërisht ato që zbatojnë drejtësinë. SHBA mbështet demokracinë dhe vendet ku ka sundim të ligjit“, ka deklaruar Hoyt Brian Yee.

Në funksion të zgjidhjes së krizës politike në Maqedoni të enjten dhe të premten në Shkup do të qëndrojë edhe i dërguari i posaçëm gjerman Johannes Haindl.

Në komunikatën e lëshuar nga ambasada gjermane në Shkup nuk jepen shumë detaje, ndërkohë që theksohet se diplomati gjerman Johannes Haindl, do të takohet edhe kësaj radhe me liderët e katër partive kryesore nënshkruese të marrëveshjes politike të Përzhinos duke futur në agjendë dhe presidentin e shtetit Gjorgje Ivanov dhe kryetarin e parlamentit Trajko Veljanovski.

Ardhja e sërishme e të dërguarit të posaçëm gjerman, Johannes Haindl në Maqedoni, koincidon me vizitën e zëvendësndihmës sekretarit shtetëror të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Hoyt Brian Yee.

Shkaku i krizës politike në Maqedoni edhe Holanda si shtet që për momentin kryeson me Këshillin e Bashkimit Evropian, ka nisur drejtorin gjeneral për Bashkëpunim Evropian, Robert de Groot, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të vendit./REL

Gjykata Kushtetuese i pezullon aktivitetet zgjedhore në Maqedoni

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë ka pranuar të debatojë nismën e BDI-së për vlerësimin e Kushtetushmërisë të vendimit për shpërndarjen e Kuvendit të Maqedonisë, më 18 janar.

Gjykata gjithashtu ka vendosur që deri në vendimin përfundimtar të pezullojë të gjitha aktivitetet zgjedhore.

Vendimi është miratuar me konsesus mes 9 anëtarëve të gjykatës. Gjykata vendimin për të debatuar për këtë nismë e ka arsyetuar me ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia.

Një nismë të tillë ajo e kishte hedhur poshtë në muajin janar me arsyetimin se nuk ka bazë ligjore meqë vendimi, sipas saj, ishte në përputhje me Kushtetutën.

Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mundëson rikthimin e Kuvendit si hap të parë për zgjidhjen e krizës së rëndë politike.

“Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjindet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, ka shkruar kreu i BDI-së, Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Shtyhet seanca gjyqësore për ‘Lagjen e Trimave’

Është anuluar seanca e sotme për procesin gjyqësor “Lagja e Trimave” për shkak të mungesës së hapësirave të nevojshme.

Në sallën e gjyqit ku deri më tani janë realizuar seancat e këtij procesi gjyqësor duhet që të sillen edhe të akuzuarit tjerë që ishin pjesë e një lënde tjetër.

Gjykata Themelore e Shkupit ka vendosur që lënda për mbështetësit e Grupit të Kumanovës të bashkohet me lëndën tjetër për të cilën 29 persona tashmë akuzohen për veprën terrorizëm. Për veprën e mbështetjes logjistike akuzohen tetë persona.

Avokatët vlerësojnë se Gjykata nuk ka prova se këta presona kanë kryer veprën penale terrorizëm.

Artene Ademi thotë se në bazë të një gjykimi të drejtë, pala mbrojtëse do të dëshmojë se 8 personat e akuzuar deri tani për logjistikë, janë të pafajshëm, raporton Alsat M.

Sipas këtij vendimi i gjithë gjykimi do të fillojë nga e para, edhe pse gjykimi për 29 të akuzuarit për terrorizëm në rastin “Kumanova” kishte arritur tashmë në gjysmën e tij.

Kjo domethënë se të akuzuarit përsëri do të deklarohen për fajësinë apo pafajësinë e tyre, si dhe gjithë dëshmitarët do të duhet të ridëgjohen, përfshirë edhe dëshmitarët e fshehur që deri më tani pengonin gazetarët që të ndjekin seancën.

Në Shkup sot shqiptarët protestuan kundër padrejtësive

 Protesta e shqiptarëve në Shkup, 9 Maj 2016

Në Shkup mijëra qytetarë kanë protestuar nën moton Drejtësi, Dinjitet, dhe Demokraci, të organizuar nga Këshilli që përfaqëson disa parti opozitare, organizata joqeveritare dhe intelektualë të pavarur.

Protestuesit, nga parku i Çairit të Shkupit kanë shkuar paraqeverisë së Maqedonisë, që sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë se jo të gjithë shqiptarët janë të nënshtruar dhe të përulur para partisë së ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe partisë VMRO-DPMNE.

Me këtë rast, Orhan Murtezani, në emër të Këshillit Opozitar, ka theksuar se shqiptarët janë mbledhur para Qeverisë nga revolta e mbledhur ndër vite.

Murtezani tha se shqiptarët e Maqeonisë janë të përcaktuar vetëm për alternativën evropiane.

“Askush nuk guxon ta pengojë punën e Prokurorisë Speciale Publike dhe Ivanovi ta tërheqë vendimin për abolim. Është nevojë imediate edhe formimi i Gjykatës Speciale. Zgjedhje duhet të ketë vetëm kur do të përmbushen të gjitha kushtet. Për shqiptarët e Maqedonisë, ato janë të papranueshme pa zërin e vërtetë të shqiptarëve. Zëri i vërtetë i shqiptarëve është këtu, në këtë protestë. Duhet të fillojë procesi i ridefinimit të shtetit; ky proces është i pashmangshëm”, ka theksuar Orhan Murtezani.

Përndryshe, paralelisht protestave të shqiptarëve, para parlamentit edhe sot kanë vazhduar protestat e organizuara nga lëvizja “Protestoj” kundër politikave të qeverisë.

Maqedonia është në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të protestave të shumta, që po vazhdojnë pothuajse që një muaj. rel

Protestuesit në Shkup arrijnë para Qeverisë, intonohet himni kombëtar

Protestuesit kanë arritur para Qeverisë ndërsa në këto momente është lëshuar edhe himni kombëtar, raporton Shenja

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami tha se ata janë mbledhur në protestë për të treguar se rrugëtimi i shqiptarëve të Maqedonisë e ai është rrugëtimi drejt Evropës.

“Ne duhet të tregojmë se këtu janë shkelë vlerat evropiane më së shumti në histori. Maqedonia është atdheu i të gjithë neve. Sot në vend që të festonim ditën e Evropës ne jemi këtu sepse ky vend është shndërruar në një vend ku Presidenti fal kriminelët, ku Prokuroria jep llogari para MPB, këta politikanë të papërgjegjshëm ku kryeparlamentari tallet me deputetët.  Sot shqiptarët kalben. Jemi këtu që ti japim përkrahje PSP që të vazhdoj me punën e saj, ti themi Stop padrejtësive. Jemi mbledhur që të deklarojmë që jemi të tronditur nga politikanët tanë që ndodhen në Qeveri jemi këtu që të tregojmë se këta politikanë janë vasal të Gruevskit nuk janë zëri jonë.”, ka deklaruar Kasami duke shtuar se “ o do të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike o nuk do të ketë fare”, raporton SHENJA.

Gjatë fjalimit të tij, Billall Kasami mes tjerash kërkoi që rastet që janë të dhimbshme për shqiptarë, mes tyre Sopoti, Monstra, Kumanova dhe raste tjera t’i merr në duart e saj Prokuroria Speciale.

“Jemi këtu t’i tregojmë njëzëri 30 mijë shqiptarëve se nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen e shqiptarë, nëpërkëmbjen e besës. Ju themi mos luani me besën se po luani me zjarr, se do të digjeni.

Zëri i vërtet i shqiptarëve është këtu sot, para godinës së këtyre krimineleve. Jemi mbledhur këtu që të tregojmë vullnetin politik të shqiptarëve. Të tregojmë se kush janë përfaqësuesit politik të shqiptarëve. Ju themi se ata janë këtu. Të gjithë bisedimet, themi se nuk do të pranohen, pa zërin që është këtu”, ka deklaruar kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ndërsa shtoi se “nëse është e nevojshme do të vijnë përsëri tek kjo godinë derisa të mos hiqen këto kriminel”, raporton SHENJA.

Protestuesit: VMRO, BDI, vendi juaj është në Rusi

Protestuesit në numër të madh, dalëngadalë po marshojnë drejt objektit të Qeverisë.

Ata vazhdimisht po brohorasin me thirrje të ndryshme, ndërsa spikat njëra prej tyre ”VMRO, BDI, vendi juaj është në Rusi”.

Protestuesit gjithashtu thonë se kërkojnë liri, drejtësi dhe dinjitet, ashtu edhe siç ishte motoja e kësaj, proteste e thirrur nga Këshilli Opozitar. /INA/

Në Shkup nisi protesta me moton Drejtësi, Dinjitet dhe Demokraci

Në Shkup ka filluar protesta me moton Drejtësi, Dinjitet, dhe Demokraci, e oganizuar nga Këshilli që përfaqëson disa parti opozitare.

Potestuesit, nga parku i Çairit të Shkupit do të shkojnë deri para qeverisë së Maqedonisë, që sipas organizatorëve, ka për qëllim të tregojë se jo të gjithë shqiptarët janë të nënshtruar dhe të përulur para partisë së ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski dhe partisë VMRO-DPMNE.

Maqedonia është në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të protestave të shumta, që po vazhdojnë pothuajse që një muaj.

Protestat e sektorit civil në Maqedoni kanë nisur më 12 prill, ditën kur presidenti Gjorge Ivanov mori vendimin për faljen e mbi 50 politikanëve që po hetoheshin nga prokuroria speciale për krime nga më të ndryshmet, si mashtrime zgjedhore, presione ndaj gjykatave, hakmarrje ndaj kundërshtarëve politik, kriminalitet ekonomik, e vepra tjera penale. rel

Një vit më vonë: Zamira Jashari, vajza simbol e Lagjes së Trimave (Fotot)

Zamira Jashari, vajza e cila u bë simbol i vuajtjes së banorëve të Lagjes së Trimave gjatë konfliktit të 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar, nuk ka ndryshuar shumë një vit pas konfliktit të Kumanovës.

Ajo sot është paraqitur në marshin përkujtimor të kësaj ngjarjeje, që u mbajt në Lagjen e Trimave.

zamira2zamira3zamira4

Marsh përkujtimor në Kumanovë: duam hetim ndërkombëtar, e vërteta të dalë në dritë

Pamje pas përleshjeve të armatosura në Kumanovë, 11 Maj 2015

Shtëpitë në këtë lagje janë ndërtuar pjesërisht por banorët thonë se plagët nuk shërohen derisa mos të dalë e vërteta plotësisht në pah mbi atë se çfarë ndodhi në Kumanovë. Këshilli i familjeve nga Lagja e Trimave në Kumanovë, një vjetorin e përleshjes së armatosur mes policisë dhe grupit të armatosur në këtë lagje e ka kujtuar përmes organizimit të një marshi përkujtimorë.

Shaban Demiri për Radion Evropa e Lirë thotë se marshi përkujtimor përshkon në heshtje rrugën nga lagja deri në qendër të qytetit, përkatësisht tregu ku ishin të vendosura postblloqet e forcave maqedonase të sigurisë.

“Marshi ynë sot është marsh përkujtimor, nuk është marsh protestues. Ai realizohet në heshtje në rrugët e Kumanovës. Kemi paraparë që heshtja të flas gjithçka që ne nuk mund ta themi lirisht sepse nuk kemi liri të shprehjes, nuk kemi gjykata të pavarura, nuk mund të presim gjykime të drejta por vazhdojnë proceset e montuara ….”, ka bërë të ditur për Radion e Evropa e Lirë Shaban Demiri, kryetar i Këshillit të Familjeve nga Lagja e Trimave.

Familjarët e kësaj lagjeje edhe sot kanë kërkuar që partitë politike shqiptare qoftë ajo në pushtet ose ata të cilat veprojnë në opozitë, të mos keqpërdorin ngjarjet e 9 dhe 10 Majit në Kumanovë për përfitime të politikës ditore.

“Ne nuk organizuam sot protesta por vetëm një marsh përkujtimor për t’i thënë politikës që të qëndroj larg Lagjes së trimave. Problemet zgjidhni në metoda tjera dhe në vende të tjera larg Kumanovës”, thekson Shaban Demiri, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe SHBA-së për realizimin e një hetimi ndërkombëtar për Lagjen e Trimave dhe zbardhjen e këtij rasti deri në fund.

Ministria e Punëve të Brendshme, menjëherë pas aksionit të forcave policore në lagjen e trimeve në Kumanovë, një vit më parë, pati deklaruar se aksioni kishte të bënte me zbulimin e një grupi të madh të armatosur I cili sipas të dhënave operative të dikasterit të policisë maqedonase dyshohej se do të kryente sulme mbi institucione e Maqedonisë.

MPB tha se grupi I armatosur në Maqedoni është futur përmes rrugëve ilegale nga një vend fqinj, ndërkohë që siç është prononcuar ministrja e punëve të brendshme, në atë kohë, Gordana Jankullovska, policia ka arritur që me kohë, përkatësisht përpara se ky grup të vepronte, të gjejë vendndodhjen e tij. Sipas saj, veprimi i policisë është bërë mbi bazën e informatave për grupin dhe i cili ka bërë një rezistencë të fortë të armatosur.

Vetëm tre ditë më vonë, ministrja Jankullovska dha dorëheqje, së bashku me drejtorin e drejtorisë për Zbulim dhe Kundër Zbulim, Sasho Mijallkov.

Në shkurt të këtij viti, ndërkaq, në Gjykatën Themelore e Maqedonisë nisi procesi gjyqësor për 29 pjesëtarët e grupit të armatosur, të cilët kryesisht janë shtetas të Kosovës, me akuzën për pjesëmarrje në “organizatë terroriste“, në bazë të nenit 394, si dhe për veprën penale “terrorizëm “ të sanksionuar me kodin penal të Maqedonisë.

Por, familjarët e policëve të vrarë nuk besojnë se pjesëtarët e grupit të armatosur kanë qenë terroristë.

“Ku humbi jetën dhëndri im I cili la dy fëmijë jetim. Në një aksion për të luftuar terrorizmin? Jo këtu nuk ka terrorizëm vetëm vrasje e paguar “, thotë Sllavko Kirovski, familjar i një pjesëtari të vrarë të policisë maqedonase në ngjarjet e 9 Majit në Kumanovë.

Edhe avokatët të cilët mbrojnë të akuzuarit për rastin e Kumanovës thonë se kanë dëshmi të forta të cilët do t’i bëjnë publike gjatë gjykimit, se grupi i armatosur nuk ka të bëjë fare me terrorizëm dhe se pas aksionit të forcave policore të Maqedonisë fshihen skenarë të strukturave të shërbimeve të inteligjencës maqedonase dhe një vendi fqinj, ndërkohë që të akuzuarit janë vetëm viktima të këtij skenari. Pala mbrojtëse njëherësh ka kërkuar që rasti në fjalë t’i kalohet prokurorisë speciale publike të Maqedonisë.

Përleshja e armatosur ndërmjet forcave të policisë dhe grupit të armatosur ndodhi në kulmin e kizës politike, kur opozita maqedonase publikoi bisedat e përgjuara, që inkriminojnë zyrtarë të lartë të pushtetit në vepra të rënda penale.

Vrasja e dëshmitarit të Speciales, Prokuroria Themelore kërkon të dhëna nga Janeva

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, e cila udhëheq hetimet për vdekjen e dëshmitarit të Prokurorisë Speciale Publike Kosta Kërpaç, ka dërguar shkresa në më shumë institucione. Nga zyra e kryeprokurorit Marko Zvërlevski thonë se ndër të tjera, janë dërguar kërkesa deri te prokuroria të cilën e udhëheq Katica Janeva.

“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit sot ka dorëzuar kërkesa në Prokurorinë Speciale, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Gjykatën Themelore Shkup 1, për sigurimin e të dhënave dhe dokumenteve të nevojshme për të ndjerin K.K, për ta zbardhur rastin”, njoftojnë nga Prokuroria Themelore Publike.

Nga Prokuroria tani për tani nuk japin detaje shtesë, për atë se çfarë përfshihet në kërkesat e dërguara në këto institucione. Një ditë pas vdekjes së Kërpaçit nga Prokuroria speciale njoftuan se i ndjeri ka qenë dëshmitar i tyre dhe se kanë dëshmi se është ushtruar presion mbi të. Por, nga ana tjetër një pjesë e opinionit haptazi e shprehte tezën se ekipi i Janevës është ai që ka kryer presion. Pra, të paktën në këtë moment, nuk është e qartë nëse prokuroria e rregullt do ti hetojë informacionet e Prokurorisë Speciale se dikush ka kryer presion mbi Kërpaçin, ose nga Zvrlevski do të hetojnë veprimet e punonjësve të Janevës. Në një përpjekje për të gjetur se çfarë saktësisht ka kërkuar Prokuroria Publike u drejtuam te Prokuroria Speciale, MPB-ja dhe në Gjykatën Penale të Shkupit. Zyrtarisht nuk morëm informacione shtesë. As për hetimin e vdekjes së Kërpaçit, deri më tani nuk ka detaje të reja. Dihet se ka mbaruar autopsia, por priten informacione mbi analizat e tjera dhe mendimet e ekspertëve.

Kriza politike maqedonase “lë në harresë” çështjet e pazgjidhura shqiptare

Isuf Kadriu – Kriza politike në Maqedoni, e cila ka filluar që nga viti 2014, por që ka kulmuar vitin e kaluar me atë që njihet si aferë e përgjimeve, ka lënë anash shumë çështje tjera që ende nuk kanë marrë zgjidhje, në veçanti ato që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se në marrëveshjen politike ndërmjet katër partive, kanë arritur që të përfshijnë edhe dy pika të saj, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimin e procesit të integrimit euroatlantik të Maqedonisë.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike, përfshirja e këtyre dy pikave nuk ka ndryshuar realitetin. Madje me veprimet e fundit, partitë ia kanë humbur vlerën kësaj marrëveshjeje me faktin se nuk janë zbatuar pikat kryesore të saj për zgjidhjen e krizës.

Kjo dëshmohet me shtyrjen e zgjedhjeve që fillimisht ishin paraparë për më 24 prill, ndërkohë që pranë dështimit është edhe data tjetër e mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor.

“Partitë shqiptare vlerësoj se nuk kanë arritur të poentojnë, edhe pse kanë pasur mundësinë që këtë krizë ta shfrytëzojnë që t’i vendosin në agjendë kërkesat e shqiptarëve”.

“Mendoj se në vijim, edhe nëse i humbin zgjedhjet, nuk është ndonjë humbje shumë e madhe, por të paktën t’i vendosin në agjendë disa pika për shkak se është momenti historik meqë faktori ndërkombëtar jo çdo herë do të merret me shqiptarët dhe maqedonasit, kështu që mendoj se është momenti që ata të veprojnë”, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Ai më tej sqaron çështjet që ende nuk kanë marrë zgjidhje edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Nga marrëveshja kornizë e Ohrit, e cila është nënshkruar në Shkup, vlerësoj se anekset kryesore të saj nuk janë zbatuar. Gjuha shqipe duhej të ishte zyrtare në Maqedoni, çështje tjetër e pazgjidhur mendoj se është përfaqësimi proporcional i shqiptarëve në institucione dhe çështja e buxhetit”.

“Vlerësoj se duhet një ridefinim i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, si dhe të realizohet një regjistrim i popullsisë për të mësuar numrin real të shqiptarëve të Maqedonisë”, thekson Sinani.

Ai konsideron se ndoshta shqiptarët po lëshojnë edhe një rast për imponimin e zgjidhjes së këtyre çështjeve.

Albert Musliu, analist dhe drejtues i organizatës, Iniciativa Demokratike, thotë se partitë shqiptare kanë një shans, që modalitetin e funksionimit të Qeverisë së tanishme ta vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në fakt, bëhet fjalë për rritjen e kompetencave të disa resorëve ministrorë, apo të zëvendësministrave, të cilët kanë të drejtën e vetos ndaj vendimeve të ministrave dhe anasjelltas.

Musliu thotë se shumë të drejta, partitë nuk kanë mundur t’i realizojnë pasi e drejta votimit të dyfishtë deri më tani është zbatuar vetëm në Kuvend.

“Mos të harrojmë se vetëm në Kuvend kemi instrumentin mbrojtës ndaj mbivotimit, ndërsa në Qeveri, në Gjyqësor, në Presidencë nuk kemi një mekanizëm të tillë”.

“Mendoj se kjo që ka ndodhur tani është një argument plotësues edhe për subjektet politike shqiptare ndaj partmerëve të tyre edhe maqedonas, por edhe ndërkombëtarë, që disa mekanizma të mund t’i imponojnë edhe në qeverisjet e ardhshme”, vlerëson Musliu.

Marrëveshja politike ndërmjet katër partive e arritur në qershor të vitit të kaluar, parasheh zgjidhjen e krizës së rëndë politike pas publikimit nga ana e opozitës të bisedave të përgjuara të zyrtarëve.

Por, edhe një vit e gjysmë nga nënshkrimi i saj, palët jo që kanë arritur të kapërcejnë dallime, por ato janë thelluar edhe më shumë pas vendimit të presidentit, Gjorge Ivanov për faljen e zyrtarëve që ishin në shënjestër të Prokurorisë Speciale për mashtrime në zgjedhje dhe shpërdorime tjera.

Vendimi i tij tash e tri javë ka nxitur protesta të përditshme të shoqërisë civile, ku janë shënuar edhe incidente, përfshirë edhe demolimin e një zyre të presidentit.

Të burgosurit e Kumanovës e akuzojnë policinë maqedonase për tortura

Familjet e personave të paraburgosur për “çështjen Kumanova” pretendojnë se familjarët e tyre janë torturuar vazhdimisht në burg ndërsa presin dhënien e vendimit për përplasjen e armatosur një vit më parë në veri të Maqedonisë.

Të afërmit e shqiptarëve etnikë që mbahen në burgjet e Maqedonisë në lidhje me shkëmbimin e zjarrit të përgjakshëm në Kumanovë një vit më parë janë duke u kërkuar diplomatëve dhe organizatave të huaja të mbështesin pretendimin e tyre se të burgosurit janë torturuar .

Familjet të premten do t’i kërkojnë Ministrisë së Jashtme të Kosovës t’i kërkojë kolegëve të tyre maqedonas të lejojnë hyrjen e ekspertëve në tre burgje ku po mbahen shqiptarët.

Një peticion i shpërndarë nga shtypi shqiptar maqedonas të mërkurën do t’i dërgohet organeve ndërkombëtare në Shkup, si zyrës së OSBE, Ambasadës Amerikane dhe Kryqit të Kuq.

Dashurie Sefa, një nga pesë anëtaret e “Këshillit të Kumanovës”, që përfaqëson familjet e të burgosurve, i tha BIRN se ajo shkoi të vizitonte burrin, Genci Sefën në paraburgimin e Shutkës të mërkurën dhe e gjeti atë në gjendje të mjeruar.

“Ai më tha se [të burgosurit e çështjes së Kumanovës] ishin rrahur dhe abuzuar ndërsa transportoheshin nga burgu në gjykatën e Shkupit për gjyqin e 21 prillit”, tha Sefa, që jeton në Ferizaj të Kosovës.

“Ai tha se i torturuan në makinat e policisë dhe në bodrumet e gjykatës sepse nuk kishte kamera sigurie,” tha ajo.

“Nuk mund ta tolerojmë këtë situatë më gjatë dhe po i kërkojmë Kosovës të ndërhyjë, teksa kërkojmë ndihmë edhe nga organet ndërkombëtare,” vazhdoi ajo.

Nëntë kosovarë ishin mes 22 personave që u vranë në përplasjen e armatosur të Kumanovës në veri të Maqedonisë një vit më parë mes të dyshuarve si terroristë dhe policisë maqedonase.

Policia maqedonase më pas burgosi 29 njerëz në lidhje me sulmin, 21 prej të cilëve janë shqiptarë të Kosovës.

Në një letër të shpërndarë për median të mërkurën, familjet e të burgosurve pretendojnë se torturat ndaj të afërmve të tyre ishin të rënda dhe vazhduan për rreth një vit.

“Torturat fizike dhe psikologjike ndaj të burgosurve të çështjes së Kumanovës vazhdojnë edhe pas një viti në bodrumet e gjykatave. Ky fakt është konfirmuar nga avokatët pas seancës së fundit gjyqësore të 21 prillit, ku më të dëmtuarit ishin Enver Hoxha Klein, Genc Sefa, Bajram Elshani, Rufki Dogani,” tha letra.

“Ata i kanë treguar familjeve të tyre gjatë vizitave të burgut detajet e torturave që të tingëllojë si filma frikshëm horror,” vazhdoi letra.

Në letër po ashtu thuhej se një nga të burgosurit, Enver Hoxha Klein, më 21 prill kishte filluar një grevë urie në burg e Shutkës.

Një nga avokatët mbrojtës të të ndaluarve të Kumanovës, Naser Raufi, citohet të ketë thënë se ai do të padiste policinë që besohet se ka rrahur anëtarët e grupit, ndërsa i shoqëronte ata në gjykatë.

Lidija Gavrilova, kreu i Drejtorisë për Sanksione, e cila drejton burgjet maqedonase, nuk pranoi të komentojë. “Unë nuk jam e autorizuar të japë asnjë deklaratë për çështje të tilla,” tha ajo.

Partitë etnike shqiptare në Maqedoni po organizojnë një protestë më 9 maj në Kumanovë për të shënuar përvjetorin e ngjarjeve që sollën vdekjen e 14 civilëve dhe tetë policëve.

Shkaqet e vërteta të ngjarjes së përgjakur mbeten të paqarta por partitë etnike shqiptare dhe ato të opozitës pretendojnë se ishte një inskenim politik për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga trazirat politike të vendit. /Fatjona Mejdini-BIRN/

Nesër vendimi gjyqësor për Azem Sylen

Nesër pasdite do të merret vendimi për Azem Sylen. Këtë e ka konfirmuar gjyqtari i kësaj çështje.

Avokati mbrojtës i Azem Sylës, Tomë Gashi ka bërë të ditur se të gjitha hetimet për rastin e pronave në rastin e njohur si “Syla”, kanë nisur pas dëshmive të Nazim Bllacës të bëra në procesin gjyqësor “Bllaca 4”.

“Në kërkesën për paraburgim prokurori ka arsyetuar me faktin se Syla ka rrezik ikje, ndikim tek dëshmitarët ku e ka përmendur edhe dëshmitarin Nazim Bllaca”,tha Gashi.

Azem Sylen  dyshohet si udhëheqës i grupit kriminal në keqpërdorim të pozitës për biznese me toka shoqërore që i ka kushtuar dëme buxhetit të Kosovës rreth 30 milionë euro, përcjell “zeri.info”

Po ashtu Syla dyshohet se ka të bëjë me rastin e tokave në Veternik dhe Çakllavicë ku janë të përfshirë shqiptarë dhe serbë.

Policia të mërkurën nuk ka arritur ta gjejë askund ish-deptuetin Syla. Ai tek sot ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria ku edhe është arrestuar gjatë hyrjes në Kosovë.

Syla njëra prej figurave kyçe të PDK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit.

Inspektori i SHIK-ut: Spiunazhi maqedonas dha dy milionë euro për vrasjen e Begut dhe Mirsadit

Ish eprori i lartë i UÇK-së, G2, TMK-së dhe pjesëtari i Shërbimit informativ të Kosovës (SHIK), Naim Miftari përmes një dëshmie ekskluzive për “Lajm”, shpalos informacione tronditëse që thotë se i posedon lidhur me vrasjen e Beg Rizajt dhe Mirsad Ndrecajt.

Duke reaguar ndaj spekulimeve se Begu e Mirsadi kanë reketuar funksionarë të BDI-së, Miftari thotë se situata është e kundërt: se policia sekrete maqedonase, përmes “dy njerëzve të afërt të Ali Ahmetit” ka ofruar dy milionë euro për vrasjen e Begut e Mirsadit.

Në vazhdim dëshmia e tij e plotë, dërguar te “Lajm”-i në mënyrë elektronike.

“Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj kanë qenë të denuar me vdekje nga shërbimi sekret maqedon akoma pa arritë në konfliktin e Kumanovës. Mos e harroni këtë fjali: shërbimi sekret maqedon, i afërt me disa (s’pakut dy) bashkëpunëtorë të Ali Ahmetit, kanë kërkuar disa muaj ma herët ”vrasës”, njerëz të luftës nga Kosova që ti vrasin Mirsad Ndrecajn dhe Beg Rizën dhe disa tjerë. Por nuk i ka degjuar askush dhe aty del në skenë dy milonëshi i famshëm, që u premtu nëse vriten këta trima ! Shikone zëdhansin e MPB të Maqedonisë, gjatë terë kohes të konflikti në Kumanovë shumica e komentev të MPB, kan qenë rreth komandant Nato-Mirsad Ndrecaj dhe Begu-Beg Riza. Shumica e përgjigjeve janë: – kanë qenë, jo nuk janë; – jo si kem arrestu; – jo nuk janë në listën e emrave te të vrarëve; – jo nuk e dim ku janë; (tanë kohen e kanë ditë mirë se ku janë)”, shkruan Miftari.

Vëllai i komandant Sokolit – Ali Ahmetit: Ty do të mallkojë gjaku i dëshmorëve të kombit

Familjari i komandant Sokolit, Avni Ukshini sërish ka adresuar kritika në adresë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti.

“E ti je tradhtar i kombit që po i mban postet e tua me gjakun e shqiptarëve të Ilirides, duke i bërë ata mish për top. A të vjen turp more që i ke mbushur burgjet sllave me mbi 5 mijë shqiptar të pa fajshëm ku ndër ta janë hiq më pak se 900 luftëtarë të uçk kombëtare të 2001. Ty do të mallkojë gjaku i Dëshmorëve dhe i popullit”, shprehet Ukshini.

Kim Mehmeti: Ambasada e Shqipërisë në Shkup, si degë e BDI-së

Voal – Analisti shqiptar nga Shkupi, Kim Mehmeti, ka kritikuar ashpër pasivitetin e ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni lidhur me zhvillimet e ndryshme që ndodhin aty.

Mehmeti ka shkuar edhe më larg, duke kritikuar edhe për afërsinë e ambasadës me BDI-në, partnerin më besnik që ka pasur VMRO-DPMNE te shqiptarët.

“Nuk ka dyshim se Tirana zyrtare është ajo që vendos dhe që më së miri e di si duhet mbrojtur interesat e shqiptarëve jashtë mëmëdheut! Por, ajo që shihet nga jashtë, të lë përshtypjen se ambasada e Shqipërisë në Shkup – përpos që shërben për t’i punësuar ‘kushërinjtë’ e të mëdhenjve të Tiranës dhe të ‘tepricës teknologjike’ të diplomatëve – në masë të madhe, ishte dhe mbeti ‘dega’ më besnike e partisë shqiptare në pushtet – BDI-së! Me çka del se interesi i shqiptarëve të Maqedonisë, fillon dhe përfundon te selia e kësaj partie! Andaj edhe nuk do jetë e çuditshme nëse lista e kundërshtarëve politikë të BDI-së, do përputhet me atë të shqiptarëve ‘destruktivë’, për të cilët kjo ambasadë i informon timonierët e shqiptarisë në Tiranë!” shkruan Mehmeti

Në Shkup edhe sot vazhdojnë protestat

Në Shkup edhe sot do të vazhdojnë protestat të cilat janë organizuar nga iniciativa “Protestoj”.

Protestat të cilat kundërshtojnë vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov për të falur politikanët ndaj të cilëve është nisur procedurë gjyqësore, fillojnë sot javën e tretë të protestimit.

Protestuesit po kërkojnë tërheqjen e atij vendimi për falje të Ivanovit, edhe shtyrjen e zgjedhjeve që janë caktuar për 5 qershor, sepse vlerësojnë se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike të cilat do të ishin të besueshme nga të gjithë. /KP/

DASH: Ivanov të tërheqë amnistinë – politikanët të hetohen

Dje gjatë pyetjeve të gazetarëve, drejtoresha për shtyp e deparmentit amerikan të shtetit,

Elizabet Trudo është prononcuar në lidhje me gjendjen në Maqedoni, njofton Zhurnal.

“SHBA dhe BE edhe njëherë treguan shqetësimet e tyre për rëndësinë e zgjedhjeve të besueshme në
Maqedoni, koha është e shkurtër, por ngelen edhe shumë punë për t’u bërë. Kërkojmë fuqishëm nga
presidenti Ivanov të shfuqizojë vendimin për amnisti dhe të lejojë prokurorinë speciale dhe gjykatat të
bëjnë punën e tyre”, transmeton Zhurnal.

Armiqësitë brendamaqedonase dhe shqiptarët e hutuar – Nga Emin Azemi

Edhe sikur të shkonin në Vjenë katër liderët politikë të Maqedonisë, nuk pritej ndonjë rezultat spektakolar. Nga ana tjetër, BE-ja dhe Parlamenti Evropian do ta quanin të dështuar misionin e tyre sikur Marrëveshja e Përzhinos të mos implementohej në tërësi.

Maqedonia po ngulfatet në llumin që e krijuan politikanët, si ata që shantazhojnë institucionet e drejtësisë dhe minojnë punën e Prokurorisë Speciale, si ata që ikin nga zgjedhjet dhe nuk iu përmbahen marrëveshjeve paraprake. Diku në mes ndodhen politikanët shqiptarë, të cilët me stilin e tyre “ngre e mos këput” as nuk po e faktorizojnë politikëbërjen e tyre me lëvizje më të zgjuara, as nuk po sjellin ndonjë alternativë që do t’iu hapte udhë ideve më gjithëpërfshirëse të shqiptarëve në Maqedoni.

Por, Maqedonia e ka shumë problem të vazhdojë këtë gjendje të status quo-s. Kriza e besueshmërisë qytetare ndaj institucioneve, si dhe prishja e subordonimit komandues në disa dikastere të MPB-së, tërheqja dhe transferimi jashtë i parave të qytetarëve dhe kompanive nga bankat, paralajmërimi për ndonjë devalvim të mundshëm të valutës vendore, janë parashenjat e një kolapsi më të madh që mund ta kaplojë shtetin.

Aktualisht, kriza është e strukturuar në mendjet e politikanëve si një virus që po vjen duke u zhvilluar në përmasat e një përbindëshi. Fataliteti i kësaj krize e ka atë dimensionin historik të keqkuptimit dhe armiqësimit brendamaqedonas. Kemi të bëjmë me një komb të ri, që nuk i ka kaluar të gjitha fazat e pjekurisë kolektive dhe tani e ka vështirë që brenda një kohe të shkurtër të krijojë harmoninë e brendshme ideologjike, politike, sociale etj. Degëzimi ideologjik i maqedonasve si komb, ka ardhur duke nxjerrë shartime të panatyrshme në trungun etno-psikologjik dhe për pasojë tani kemi dy mendësi diametralisht të kundërta.

Kjo dikotomi ideologjike brendamaqedonase ka koston e saj të pallogaritshme në ridimensionimin institucional të shtetndërtimit. Këtë “avari” të madhe në mekanizmin e mbamendjes së tyre historike, intelektualët dhe politikanët maqedonas janë munduar ta fshehin për vite të tëra, duke i ikur debatit publik dhe zëvendësimin e tij me njëfarë fushate të dyanshme partiake, që në thelb ka pasur pikërisht këtë papajtueshmëri të brendshme.

Atë që partia maqedonase në pushtet e quan zgjim kombëtar, partia tjetër opozitare e kualifikon si regres dhe shpërfytyrim të historisë së vërtetë. Prirjet antagoniste shkojnë deri atje sa të mos ketë një konsensus minimal, sa i përket historisë së përbashkët dhe përplasjet e diskurseve nuk kanë një vokacion shkencor e akademik, por puro politik.

Aktualiteti politik, i mbarsur me krizën e dialogut dhe mungesën e konsensusit, patjetër që e ka një tub përçues nëpër të cilin kalon gjithë ky animozitet brendamaqedonas. Dallueshmëria e perceptimit publik ndaj dy partive kryesore maqedonase, ende është e madhe dhe ka një llogari të dyanshme dhe vazhdimi i krizës ka të ngjarë që këtë dallueshmëri ta ngushtojë. Tani për tani është LSDM ajo që dëshiron t’i shtyjë zgjedhjet, jo gjithaq për shkak të regjistrit zgjedhor, reformës në media etj., sa për shkak të distancës së madhe që ka ndaj partisë rivale – VMRO (DPMNE) në të gjitha matjet e disponimit të opinionit publik. Nga ana tjetër, partia në pushtet dëshiron të ketë sa më shpejt zgjedhje që ta shkurtojë kalvarin që do t’ia shkaktonte Prokuroria Speciale përmes aferave të deponuara në formë përgjimesh nga ana e opozitës.

Pra, parë realisht, as VMRO-DPMNE as LSDM nuk e kanë gjithaq hallin se do të mbahen apo jo zgjedhje të lira e të besueshme, sa e kanë gajlen te kuotat e perceptimit publik ndaj tyre. Fundja, në disa cikle të kaluara zgjedhore në këto 25 vjet pluralizëm, ka qenë pikërisht LSDM që ka fituar mandate qeverisëse me zgjedhje edhe më të skandalizuara dhe asnjëherë në të kaluarën kjo parti nuk ka kërkuar shtyrjen e tyre për shkak të regjistrit (të papastruar) zgjedhor, lirisë së mediave, ndarjes së partisë nga shteti, reformave në gjyqësi etj. Por, edhe partia e Gruevskit gjithë këtë turr për të shkuar në zgjedhje nuk e mbështet gjithaq në realitetin ekonomik e social që prodhon politika, gjoja, e drejtë e tyre, sa e projekton si vazhdim të kauzës kombëtare për zgjimin nacional të maqedonasve, në këtë interval kohor kur ata duhet të jenë në pushtet.

Dështimi i takimit të Vjenës, është dështim edhe i përpjekjeve diplomatike për të vendosur në Maqedoni një rend shtëpiak evropian. Kjo, gjithsesi i hap udhë involvimit më të fuqishëm të diplomacisë amerikane këtu, e cila, përmes përfaqësuesit e të saj në Shkup i ka bërë punët e duhura konform situatës, por jo edhe të domosdoshme dhe afatgjata. Në Maqedoni, duhet patjetër të spostohet një i dërguar i posaçëm amerikan, i cili në bashkëpunim me përfaqësuesit e BE-së do të gjente modalitet më të qëndrueshëm, për tejkalimin e krizës fillimisht dhe do të krijonte parakushte për një funksionim afatgjatë të bashkëveprimit institucional në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe në mes të vetë maqedonasve. Roli amerikan në Maqedoni do të duhej parë edhe në kontekst të afiniteteve gjeopolitike, që u shfaqën kohët e fundit, ku dëshpërimi rus për humbjen e primatit në udhët energjetike të Ballkanit, që duhej të kalonin edhe nëpër Maqedoni, u shpreh me një mungesë të theksuar takti diplomatik, që shumëkush e ka lexuar si përkrahje direkte e regjimit aktual. Që palët e konfrontuara në Maqedoni të mos kenë edhe në të ardhmen spiranca avokatie ku do të mund t’i lidhnin barkat e tyre të lodhura, njëri në Sofje te Borisovi e tjetri në Moskë te Putini, atëherë imponohet si e domosdoshme një prani më e shtuar e diplomacisë amerikane në Maqedoni, që do të rezultonte në formimin e një qeverie kalimtare këtu, me një rol më domethënës të shqiptarëve, e cila brenda dy viteve do të arrinte t’i “hekuroste” shumicën e gungave në relievin e trazuar politik të Maqedonisë.

Shkup – Shqiptarët protestojnë me moton “NDAL” (fotot)

Në Shkup shqiptarët protestuan me moton “NDAL”, të organizuar nga Lëvizja për Reforma, e Partisë Demokratike Shqiptare, Rilindja Demokratike Kombëtare, Shoqata e ish të Burgosurve Politik, organizata civile “Illyricum Libertas” dhe familjarët e të burgosurve në rastin “Monstra”.

Protestuesit thanë se kanë dalë për t’i thënë ndal sistemit diskriminues dhe fashistoid, ndal krimit dhe korrupsionit, proceseve të montuara politike dhe burgosjeve të shqiptarëve.

Ata u shprehën kundër Qeverisë aktuale, e cila, siç u tha, po dëmton interesat e shqiptarëve, duke i dhënë mbështetje të plotë Prokurorisë Speciale që të hetojë të gjithë politikanët e përfshirë në krim.

“Nuk ka shqiptar që nuk e përkrah prokuroren Fatime Fetai, që është pjesë e Prokurorisë Speciale. Ka ardhur koha që ne më të mos kërkojmë prej të tjerëve, sepse s`kemi se çka kërkojmë nga të tjerët. Por, kërkesa tona do t`ia drejtojmë popullit dhe prej atij momenti realizimi i këtyre kërkesave, do të jetë kusht për ekzistimin e Parlamentit të Maqedonisë dhe Qeverisë”.

“Jemi këtu për të bërë hapin e parë për kthimin e demokracisë, demokraci e cila është dhunuar për 25 vjet, edhe pse kemi pasur deputetë të zgjedhur shqiptarë në Parlament”, tha Zijadin Sela, drejtues i Lëvizjes për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare.

Ndërkaq, Shpëtim Pollozhani, drejtues i Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë Shqiptarë, tha se deri më tani se zëri i shqiptarëve nuk arrin të dëgjohet.

“Në të gjitha shtetet e Evropës juglindore, numri i të burgosurve politikë është në rënie, duke shkuar në zero me demokratizimin e këtyre vendeve. Por, vetëm në Maqedoni numri i të burgosurve politikë shqiptarë dita-ditës rritet.Kjo tregon qartë për gjendjen e shqiptarëve dhe diskriminimin e tyre”, u shpreh Pollozhani.

Ndërkaq, Mubedin Sulejmani, tha për Radion Evropa e Lirë, se ka dalë për të protestuar për largimin e Qeverisë aktuale, sepse në vazhdimësi i ka dëmtuar interesat e shqiptarëve.

“Partia shqiptare në pushtet automatikisht duhet të dalë nga Qeveria e kryesuar nga partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, sepse kjo qeverisje në vazhdimësi punon në dëm të interesave të shqiptarëve; sepse VMRO DPMNE-ja ka dëshmuar se është një parti nacionaliste”, theksoi Sulejmani.

Përderisa ish-deputeti nga zona e Karadakut, ish-përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Hisni Shaqiri, tha se në këtë kohë protestat nuk duhet të ndalen po ata duhet të mbështeten nga gjithë shqiptarët.

Ne jemi kundër politikave të kësaj Qeverie, e cila shqiptarët i ka diskriminuar me lloj-lloj procesesh të montuara politike kundër tyre, duke u goditur ish-përfaqësuesit e UCK-së. Në shumë situata në Maqedoni shqiptarët e pafajshëm janë vrarë ose janë dënuar me burgim të përjetshëm”, deklaroi Shaqiri.

Organizatorët e protestave të së premtes thanë se do të vazhdojnë të protestojnë kundër Qeverisë aktuale, e cila nuk rresht së diskriminuari shqiptarët, po nuk do t`u bashkohen protestave, që organizohen për çdo natë në qendër të Shkupit, kundër qeverisë nga lëvizja qytetare “Protestoj”.

Ndërkohë për të dhjetën ditë me radhë, në Shkup kanë vazhduar protestat kundër politikave të Qeverisë nën organizimin e iniciativës qytetare “Protestoj”.

Njëkohësisht, janë mbajtur edhe kundër-protesta në mbështetje të politikave të pushtetit.

shqiptaretprshqiptaretshkupisot

Arrestohet gazetari maqedonas që nxori përgjimin Mehmeti-Xhaferi

Voal – Autoritetet serbe e kanë arrestuar në Novi Sad gazetarin maqedonas Zoran Bozhinovski, për të cilin policia e Maqedonisë ka lëshuar fletarrestim. Bozhinovski do të nxirret para gjykatësit në Novi Sad, më pas do të ekstradohet në Maqedoni.

Bozhnovski është gazetari që nxori videon erotike të Ermira Mehmetit dhe ish Zv.Kryeministrit Musa Xhaferi. Pasi gazetari e bëri publik përgjimin, atë e morën disa portale online, kryesisht në Kosovë dhe Shqipëri, duke e kthyer në lajmin më të debatuar të muajit. Dritare.net i kushtoi këtij lajmi një hapësirë të madhe me komente dhe lajme, duke vendosur të mos e postojë videon në portal, por vetëm reagimin mbi të. Ermira Mehmeti, foli për herë të parë për këtë përgjim në dritare.net. Ndërsa ish shefi i SHIK, Fatos Klosi, tha në dritare.net se kur bëhet fjalë për përgjime telefonatash, montazhi është shumë i lehtë, gjë që është më e vështirë kur bëhet fjalë për video.

Publikimi i videos solli jo vetëm zhurmë në rrjetet sociale, por pas shumë diskutimesh edhe debatesh në BDI, partinë shqiptare, pjesë e së cilës janë dy të përgjuarit, erdhi edhe largimi i gjithë përfaqësuesve të kësaj partie nga qeveria dhe ndërrimi i tyre me të tjerë, të rinj dhe të panjohur.

Ndërkaq, BDI dhe Ermira Mehmeti, veç e veç, e denoncuan këtë video publikisht dhe në Prokurori, si montazh dhe shantazh. Prokuroria maqedonase nuk ka folur ende në lidhje me hetimet mbi telefonatën e përgjuar të dy politikanëve të lartë shqiptarë

Protesta e kundërprotesta në Shkup

Isak Ramadani – Të enjten në mbrëmje në Shkup u zhvillua protesta e shoqërisë civile me pjesëmarrjen e disa mijëra qytetarëve, të cilët kundërshtojnë vendimin e presidentit Gjorgje Ivanov, për të falur një numër politikanësh dhe bashkëpunëtorësh të tyre të dyshuar për manipulime zgjedhore, korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Protestuesit mbështesin Prokurorinë e Posaçme, e cila ka hapur disa raste kundër ish-ministrave dhe funksionarëve në pushtet.

Nga ana tjetër, disa mijë veta kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Maqedonisë të organizuar, në mbështetje të qeverisë. Një organizatë që veten e quan Lëvizja Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë, e njohur për afërsinë me partinë VMRO-DPMNE, tuboi para parlamentit të vendit në Shkup përkrahësit e kësaj partie për t’u dhënë mbështetje politikave qeveritare dhe për të kundërshtuar protestuesit e palës tjetër. Protestat kaluan pa incidente, ndërsa policia kishte bllokuar rrugët për të parandaluar përplasjet e mundshme.

Situata në Maqedoni kishte nxitur komisionarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn të ftojë jë takim të katër drejtuesve të partive kryesore politike në Maqedoni. Por, takimi që ishte paralajmëruar për të premten në Vjenë, u anulua, meqë kryetari i LSDM-së në opozitë, Zoran Zaev tha e nuk do të marrë pjesë përderisa nuk tërhiqet vendimi i presidentit dhe nuk shtyhen zgjedhjet e paralajmëruara për datën pesë qershor.

Komisionari Hahn në një kumtesë tha se “në mungesë të përparimit, komuniteti ndërkombëtar detyrohet të shqyrtojë masa të tjera për plotësimin e kërkesave nga institucionet evropiane. Ne vazhdimisht kemi thënë se anulimi i Marrëveshjes së Përzhinës do të ketë pasoja shumë të rënda për vendin. Na vjen shumë keq për hapat regresiv që e zmbrapsin vendin nga aspiratat për anëtarësim në BE”, thuhet në letrën e zoti Hahn.

Qytetarët e Shkupit vazhdojnë protestat kundër Ivanovit

Mes të tjerash, organizatat qytetare kërkojnë edhe përfshirjen e tyre në negociatat eventuale mes liderëve të partive të Maqedonisë të cilat duhet të mbahen të premten në Vjenë

SHKUP – Edhe gjatë të martës qytetarët e Shkupit dolën në protesta për të shfaqur revoltën dhe pakënaqësinë e tyre për shkak të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për faljen e të gjithë politikanëve nga ndjekja penale.

Sikur edhe ditët e kaluara, protesta filloi rreth orës 18:00 para godinës së Prokurorisë Speciale Publike në qendër të Shkupit, në shenjë mbështetjeje ndaj këtij institucioni. Më pas, prej këtu u nisën drejt godinës së Kuvendit, pastaj shkruan drejt godinës së Qeverisë së Republikës së Maqedonisë që në fund të ndalen në afërsi të hapësirave të Info-qendrës së BE-së në Shkup dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku qytetarët e tubuar dëshironin të protestonin, por u parandaluan nga kordoni policor.

Qytetarët edhe sonte porositën se protestojnë kundër politikave të Qeverisë dhe kundër zgjedhjeve më 5 qershor. Mes të tjerash, organizatat qytetare kërkojnë edhe përfshirjen e tyre në negociatat eventuale mes liderëve të partive të Maqedonisë të cilat duhet të mbahen të premten në Vjenë.

Protestat mbahen pas vendimit të presidentit Gjorge Ivanov, për ndërprerjen e të gjitha procedurave të ngritura kundër politikanëve të cilët lidhen me përgjimet dhe krizën politike.

Protesta janë mbajtur edhe në qytete të tjera të Maqedonisë.

Shpend Ahmeti rreth tmerrit në Shkup: Ja thirrjet raciste ndaj shqiptarëve

SHKUP- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka rrëfyer çastet e tmerrit që përjetoi në ndeshjen e luajtur një ditë më parë mes Vardarit dhe Shkëndijës (1-1). Ndeshja e vlefshme për Javën e 27 të Ligës maqedonase u shoqërua nga tensionet në fushë dhe thirrje raciste kundër shqiptarëve nga tifozët vendas.

Klubi i Shkëndijes luajti pa tifozë në këtë ndeshje, ndërsa tifozët e Vardarit sulmuan edhe pjesën e të ftuarve të ekipit kundërshtar që ndodhej në stadium dhe në tribunën VIP, shkruan panoramasport. Si i ftuar special i ekipit të Shkëndijës, Ahmeti kritikon reagimin e dobët të policisë dhe evidenton urrejtjen e maqedonasve ndaj shqiptarëve që shfaqet hapur edhe në takime të tilla. Në një koment të publikuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, Ahmeti kritikon edhe qëndrimin e kryetarëve të partive politike shqiptare në Maqedoni.

Komenti i plotë i Shpend Ahmetit në “Facebook”:
“Të gjithë ata që më njohin e dijnë se jam një adhurues i madh i futbollit. Tash e disa vite jam edhe tifoz i Shkendijes së Tetovës dhe sipas mundësive kam përcjellë ndeshje të ndryshme edhe në kampionatin e Maqedonisë edhe kur kanë luajtur në kualifikime evropiane. Dje isha në ndeshjen vendimtare të kampionatit në mes të Vardarit dhe Shkendijes në Shkup. Tifozëve të Shkendijes i ishte ndaluar hyrja në stadium ndërsa aty ishin mbledhur rreth 2 mijë tifozë të Vardarit. Ne ishim rreth 20 shqiptarë, mysafirë të klubit Shkëndija të cilëve udhëheqësia e Vardarit na kishte vendosur në mes të tifozëve të Vardarit.

Gjatë gjithë lojës këndimet e tifozëve të Vardarit ishin të llojit “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur”. Pasi shënoi Vardari, gjanat u tensionuan edhe më shumë sepse ata e kishin të qartë që aty jemi rreth 20 shqiptarë. Kur filluan të këndojnë se të gjithë maqedonët të ngritën në këmbë e vërtetuar se ishim shqiptarë. MIrëpo incidenti ndodhi kur Shkëndija shënoi golin e barazimit, ndërsa kryetari i klubit të Shkëndijes u ngrit në këmbë për të festuar. QË nga ai moment, filluan të gjuajnë gjësende në drejtim tonin, duke goditur disa nga personat që ishin aty. Policia erdhi me vonesë, dhe u mundua ti qetësojë por pa sukses. U detyruan të na nxjerrin nga ndeshja për sigurinë tonë.

Jam i vetëdijshëm që huliganë të futbollit ka kudo në botë. Megjithatë, ajo që nuk mund të tejkalohen jane dy gjëra: 1. Urrejtja ndaj shqiptarëve është në maksimum dhe në situata të tilla shpërfaqet e pastër. 2. Përfaqësimi shqiptar në Maqedoni është në gjendje shumë të dobët. Koketimi i partive tona për qeveri pa kërkesa të qarta dhe parimore të shqiptarëve do të sjellë më shumë diskriminim dhe urrejtje ndaj shqiptarëve e jo vetëm në ndeshje futbolli. Unë mund të jem atje vetëm disa orë, një herë në dy tre muaj, por shqiptarët e Maqedonisë atje jetojnë në kushte të tilla gjatë tërë vitit, brenda e jashtë stadiumit”.

Kore raciste dhe sulm ndaj tifozëve shqiptarë në Maqedoni (video)

 

Vardari i Shkupit dhe Shkëndija barazuan 1-1 në ndeshjen e vlefshme për Javën e 27 të Ligës maqedonase, në një takim në të cilin nuk munguan koret raciste ndaj shqiptarëve dhe përplasje mes tifozërive.

Goli i barazimit për Shkëndijën nga Armend Alimi në minutën e 38′ të pjesës së parë ndezi situatën në fushë dhe jashtë saj.

Sipas një njoftimi të shkurtër të publikuar në faqen e ‘KF Shkëndija’ në rrjetin social ‘Facebook’, thuhet se tifozët vendas sulmuan fizikisht mundërshtarët e tyre në stadium, duke mos kursyer edhe tribunën VIP.

“Goli i barazimit nga Armend Alimi në minutën e 39-të ka egërsuar tifozët e Vardarit, të cilët nuk janë përmbajtur dhe kanë sulmuar fizikisht kryesinë e Shkëndijës që gjendej në një zonë ‘VIP’ të improvizuar në tribunën jugore ku edhe gjendet grupi i tifozëve ‘Komitët’, transmeton “Panorama”. Në sulmin fizik disa anëtarë të kryesisë janë goditur dhe kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa janë detyruar të lëshojnë tribunën nën përcjellje të forcave të shtuara të sigurisë”,-thuhet në njoftimin e klubit të Shkëndijës.


Send this to a friend