VOAL

VOAL

Shqiptarët e Maqedonisë me 20 deputetë, nga 27 sa kishin në mandatin e kaluar

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni ende nuk ka shpallur rezultatet zyrtare të zgjedhjeve mbi numrin e ligjvënësve që kanë fituar partitë në garën e djeshme zgjedhore. Kjo gjë po krijon shqetësim tek një pjesë e partive. Ndërkohë, partitë shqiptare sipas të gjitha gjasave, do të mbeten me njëzet deputetë në parlamention e vendit, nga 27 sa ç’kishin mandatin e kaluar.

KSHZ pothuaj në të gjitha ciklet zgjedhore ka qenë i shpejtë dhe ka reektuar afatet ligjore për shpalljen e rezultateve.

Zgjedhjet e së dielës nuk sollën një fitues të qartë që do të mund ta formonte lehtësisht qeverinë e re të Maqedonisë. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve po mba në pasiguri gjendjen e posteve të ligjvënësve të ri që duhet të dalin nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare. Ndërkaq, dy partitë mëtë mëdha maqedonase e ndiejnë veten fitimtarë në garë. VMRO-DPMNE thotë se ka marrë 51 vendeve në parlamenat ndërsa sipas saj, Lidhja Social demokrate të ketë narrë 49. Por kjo e fundit pret fjalën e fundit nga Komisioni Shtetëror të Zgjedhjeve. Sipas votës popullore, VMRO-DPMNE ka marrë rreth 17 mijë vota më shumë se socialdemokratët, në shkallë vendi. Por Maqedonia ka 67 zona zdhjedhore dhe secila dërgon nga 20 deputetë në parlament.

Nëse mandati i jepet VMRO-DPMNE-së, asaj i duhen votat e BDI-së për ta formuar qeverinë. Dhe nëse mandatin e merr Lidhja Social Demokrate, asaj do t’i duhen të tre partitë tjera shqiptare në koalicionin qeveritar.

Në këtë garë, duket se dy partitë më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH kanë dalur të humbura. BDI, nëse nuk ka ndonjë ndryshim eventual të rezultatit, do të ketë 10 deputetë, ndërsa PDSH – vetëm 2 deputetë. Lëvizja Besa ka rezultuar me sukses duke fituar 5 vende deputetësh dhe Aleanca për Shqiptarët ku përfshihen Lëvizja për Reforma, Uniteti dhe një pjesë e Rilindjes Demokratike ka marrë 3 deputetë. Shqiptarët të gjithë së bashku do të kenë 20 deputetë, nëse nuk ka ndonjë ndryshim prej ankimeve të mundshme. Në mandatin e kaluar ishin 27 ligjvënës shqiptarë.

Drejtuesit e partive shqiptare ia hedhin fajin njëri tjetrit për rezultatin e këtillë.

Pas zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve fillojnë të rrjedhin afatet për formimin e qeverisë së re. Me që nga diaspora nuk pritet të ketë tre deputetë për shkak të pjesëmarrjes së vogël në votime atje, parlamenti i ri do të ketë 120 vende dhe mandatarit të ri i duhen 61 vota në parlament. Analistët nuk janë shumë optimistë se një qeveri e tillë do të jetë stabile dhe të sjellë ligje cilësore.

Gruevski: VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve në Maqedoni

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, partia e tij është fituese

SHKUP – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, deklaroi se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, partia e tij është fitues, si dhe shtoi se në Maqedoni përsëri u mbajtën zgjedhje të drejta, demokratike dhe kredibile në të cilat qytetarët në mënyrë të lirë votuan dhanë besimin e tyre.

Gruevski duke uruar qytetarët të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës, shtoi se sipas rezultateve nga 88.61 përqind e votave të përpunuara, mbështetje partisë së tij i kanë dhënë gjithsej 434.051 qytetarë, ndërsa openentit LSDM mbështetje i kanë dhënë 415.258 qytetarë.

“Falënderojmë të gjithë votuesit, te ato komuna ku fituam, por edhe te ato ku humbëm zgjedhjet. Pa ata dhe pa votën e tyre nuk do të arrinim këtë fitore”, u shpreh ai.

Gruevski shtoi se në këto zgjedhje një befasi kishte te blloku shqiptar, duke theksuar se LSDM ka marrë një mbështetje të qartë nga komuniteti shqiptar në vend.

“Është koha e formimit të koalicionit dhe e formimit të Qeverisë në Maqedoni. Kriza patjetër duhet të përfundojë dhe Maqedonia të ecë përpara. Ky do të jetë qëllimi ynë kryesor në ditët dhe javët e ardhshme, kriza në Maqedoni të përfundojë me këto zgjedhje dhe vendi të ecë përpara”, tha Gruevski. aa

LSDM kremton para Qeverisë

Zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov tha se partia udhëheq ose fiton në Shkup, por edhe në Kumanovë, Kavadar, Strugë, Strumicë, Gostivar, Dibër

SHKUP – Simpatizantë dhe aktivistë të LSDM-së janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë për të kremtuar fitoren. Zëdhënësi i LISDM-së Petre Shilegov tha se partia udhëheq ose fiton në Shkup, por edhe në Kumanovë, Kavadar, Strugë, Strumicë, Gostivar, Dibër.

Edhe Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë Zoran Zaev para Qeverisë së Maqedonisë iu drejtua aktivistëve dhe tha se ka një mandat më tepër se oponenti i tij politik VMRO-DPMNE.

Ai tha se atë që ka bërë populli sot do të shkruhet në histori, duke shtuar se LSDM ka një deputet më tepër.

Ndërkohë Komisioni Shtetëror Zgjedhor vazhdon të përpunojë dhe publikojë rezultatet nga votimi i sotëm nga zgjedhjet e parakohshme. aa

Maqedoni: VMRO-DPMNE kryeson me rezultat të ngushtë

Rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni pas numërimit të 95 për qind të votave

Në Maqedoni u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pasuan një krizë politike që pasoi pohimet për korrupsion qeveritar, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski në muajin janar të këtij viti.

Sipas të dhënave të Komisionit të Zgjedhjeve në bazë të 99 për qind të votave të numëruara, VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit ka fituar 38.06 për qind të votave, ndërsa Lidhja Social Demokratike e Zoran Zaevit, ka fituar 36.69 për qind.

Në vend të tretë është Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit që ka fituar 7.30 për qind i pasuar nga Lëvizja Besa me 4.87 për qind.

Zyrtari i lartë i VMRO-DOPMNE-së Vlatko Gjorgjev shpalli fitoren, ndërsa theksoi se Lidhja Social-demokratike ka fituar më shumë në zonat e banuara me shqiptarë.

Por, udhëheqësi i LSD-së, Zoran Zaev, tha se koalicioni opozitar ka një mandat më shumë sesa VMRO DPMNE.

Zgjedhjet e së dielës në Maqedoni pasuan një krizë politike për shkak të pohimeve për korrupsion qeveritar, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit Nikola Gruevski në muajin janar të këtij viti.

Vendi është drejtuar më pas nga një qeveri teknike.

Njëmbëdhjetë parti politike dhe koalicione konkurruan për të zënë vend në parlamentin me 123 deputetë. Maqedonia është e ndarë në gjashtë zona zgjedhore dhe secila dërgon nga njëzet deputetë në parlament, si dhe zona e shtatë që përfshin diasporën, prej nga zgjidhen tre deputetë.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 66 për qind e mbi 1 milion e 700 mijë votuesve me të drejtë vote. Zgjedhjet u vëzhguan nga 667 vëzhgues ndërkombëtarë dhe 7 mijë e 585 vendës. Vetëm ODIHR kishte dërguar 360 vëzhgues.

Nikola Gruevski, udhëheqës i partisë së qendrës së djathtë, VMRO-DPMNE, e cila ka qeverisur me ish republikën jugosllave në koalicione të ndryshme për gati një dekadë, synon të vazhdojë qeverisjen.

Ai është sfiduar nga Lidhja Social-demokratike e udhëhequr nga Zoran Zaev, i cili nxiti krizën politike duke akuzuar qeverinë për përgjime të paligjshme të dhjetëra mijëra qytetarëve dhe publikoi regjistrime për përfshirjen e qeverisë në korrupsion.

Katër parti politike që përfaqësojnë shqiptarët, morrën pjesë në zgjedhje por duket se kësaj radhe kanë humbur vende. Tradicionalisht një parti shqiptare i bashkohet koalicionit qeverisës.

Votimet e së dielës shihen si sprovë për strategjinë e Bashkimit Evropian për të nxitur reforma të dhimbshme në shkëmbim të ndihmës.

BE-ja ka kritikuar për një kohë të gjatë qasjen e Gruevskit ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit, por ka nevojë për Maqedoninë që ndodhet në pozicion të rëndësishëm të së ashtuquajturës rrugë ballkanike të emigrantëve që synojnë Evropën perëndimore.

Mesazhi prekës i vogëlushes shqiptare për votuesit shqiptarë në Maqedoni

 

VOAL – Një vogëlushe shqiptare ua ka dërguar një mesazh prekës votuesve shqiptarë në Maqedoni.

“Mos e shit votën. TË LUTEM. Për hatrin tonë!” – shkruan vogëlushja shqiptare në një letër format.

Maqedonia po zhvillon sot zgjedhjet e katërta të parakokshme parlamentare. Në këto zgjedhje marrin pjesë 6 parti dhe 5 koalicione, do të votohet për 1092 kandidatë.

Nikolla Gruevski dha dorëheqjen në janar. Tani ai po kërkon rikthimin në detyrën që e mban prej vitit 2006.

Maqedonia po voton

Pamje nga votimet e 11 dhjetorit

Në orën 7 të mëngjesit në Maqedoni ka nisur procesi zgjedhor për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Sipas të dhënave të para të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të gjitha 3,480 qendrat e votimit janë hapur me kohë dhe për momentin nuk janë regjistruar parregullsi.

Edhe organizatat që po vëzhgojnë procesin zgjedhor, përveç disa aspekteve të vogla teknike, nuk kanë raportuar për parregullsi. Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë shtetas, të cilët duhet të zgjedhin përbërjen e re parlamentare prej 120 deputetësh.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Maqedoni erdhën si pasojë e krizës së thellë politike, në të cilën ndodhet vendi që nga zgjedhjet e vitit 2014, e në veçanti pas asaj që njihet si aferë e përgjimeve që lëkundi stabilitetin e vendit me trazirat më të mëdha që nga pavarësia e saj, 25 vjet më parë.

Në garë për mandate janë 11 lista të partive dhe koalicioneve partiake, katër prej të cilave janë të subjekteve politike shqiptare. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së, PDSH-së, Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët.

Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura dhe ato po zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore ku çdonjëra prej tyre nxjerr nga 20 deputetë.

Një ditë më parë, të shtunën, votimet janë mbajtur në diasporë, ku nga dalja në votime do të varet nëse do të ketë edhe tre apo më pak deputetë shtesë në institucionin e ri ligjvënës.

Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thanë se fletët e votimit dhe materiali tjetër i nevojshëm për realizimin e procesit zgjedhor,është shpërndarë me kohë dhe presin që zgjedhjet të kalojnë në atmosferë demokratike.

Procesi i votimit po monitorohet nga rreth 5 mijë vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,047 vëzhgues nga gjashtë organizata vendore, rreth 650 vëzhgues të huaj, 60 gazetarë, përkthyes dhe personel tjetër që do të jetë pjesë e procesit të vëzhgimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Lupka Guguçevska, zëdhënëse e KSHZ-së.

Numrin më të madh të vëzhguesve të huaj e ka misioni i OSBE-ODIHR, pastaj Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian. Përfaqësuesit e ambasadave dhe misioneve të huaja diplomatike në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si kusht kryesor për kthimin e Maqedonisë në normalitet.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar edhe forca të shumta policore të pranishme në të gjitha vendvotimet. Për prishjen apo pengimin e procesit zgjedhor në bazë të ndryshimeve të reja të Kodit Zgjedhor parashihen dënime të ashpra që nga gjobat që sillen deri në 5 mijë euro e deri në dënime prej 3 deri më 5 vjet burg në rast të mbushjes së kutive të votimit apo mashtrimeve zgjedhore.(REL)

Skandal: Gruevski kërcënoi Zaevin me atentat (foto)

Opinioni në Maqedoni është i skandalizuar nga kërcënimi, indirekt por i qartë, me atentatin që i bëri lideri i VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, oponentit të tij politik, liderit të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaevit.

Duke folur në mitingun në Dellçevë, Gruevski iu referua fjalimit të Zaevit në të njëjtin qytet, kur tha se “ç’do të thoshte Goce Dellçevi (themeluesi i VMRO-së historike në fillim të shekullit XX, v.j.) po ta shihte këtë qeveri të sotme të VMRO-DPMNE-së”.

“Ai paska gjetur ta citojë Dellçevin. Ia tregoj unë. Po të ishte Dellçevi sot gjallë, ai as që do të mund të përshëndetej me të, atij do t’i dërgohej vetëm Qosja për ta kryer muhabetin me një njeri të tillë”, porositi Gruevski Zaevin.

qosja-kasapi_1481100979-2110329

Andon Lazov Janev, i njohur si Qosja apo Kasapi (1855 – 10 shtator 1953) është revolucionar maqedonas, i cili nofkën Kasapi e ka marrë pikërisht për shkak të atentateve që ka kryer në emër të VMRO-së. Busti i tij është pjesë e projektit Shkupi 2014 dhe sipas qeverisë së Gruevskit llogaritet për hero, kurse simbolikisht është vendosur para pallatit të drejtësisë.

Komentet në publik pas kërcënimit të këtillë të Gruevskit janë të shumta dhe kryesisht thonë se mënyra e këtillë e qërimit të hesapeve me kundërshtarët politikë nuk do të ishte asgjë e re, duke marrë parasysh disa vdekje të dyshimta, burgosjet dhe dënimet në procese të montuara, hakmarrjet me shkatërrimin e bizneseve, e ngjashëm.

Ali Ahmeti shkon me antiplumb në Kumanovë (foto)

Bashkimi Demokratik për Integrim në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 dhjetorit mbrëmë mbajti tubim në Kumanovë, pas të cilit në disa media shqiptare u publikua një foto e liderit partiak Ali Ahmetit, ku thuhet se shihet se ai mban jelek antiplumb.

Fotografinë e publikoi portali Almakos, ndërsa e transmetuan edhe një numër mediash tjera, duke shtuar: “Parashtrohet pyetja se nga kush u frikësua Ali Ahmeti, sakaq nuk i mjaftuan forcat e mëdha të sigurisë derisa u fut në sallë, por edhe brenda saj ishte i mbështjellur me pancir?!”.

ahmeti-pancir_14

Mbrëmë nëpër Kumanovë u vërejtën forca të mëdha policore, ndër të cilat edhe autoblinda, që shoqëruan delegacionin e BDI-së gjatë hyrjes dhe daljes nga Shtëpia e Kulturës ku u mbajt tubimi parazgjedhor.

Masat e shtuara të sigurisë për këtë tubim elektoral ishin si rezultat i incidenti që ndodhi javë më parë kur disa qytetarë të revoltuar të Kumanovës dhe familjarët e komandant Shqiponjës qëlluan me gurë eskortën në të cilën udhëtonte lideri Ahmeti, gjatë një tubimi në fshatin Çerkes të Kumanovës.

Friedrich Eber: Në Maqedoni 52.9 përqind e të rinjve janë të papunë

Në Maqedoni shkalla e papunësisë tek të rinjtë është 52.9 përqind duke u radhitur në vendin e tretë në listën botërore, ndërkohë që në vend të parë është Bosnjë e Hercegovina dhe në vend të dytë Greqia

SHKUP – Sipas hulumtimit të kryer nga Fondacioni “Friedrich Eber”, zyra në Shkup, mbi papunësinë tek të rinjtë në Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, thuhet se “në Maqedoni padyshim që shkalla e papunësisë tek të rinjtë, e cila është 52.9 përqind është alarmante, duke u radhitur në vendin e tretë në listën botërore, ndërkohë që në vend të parë është Bosnjë e Hercegovina dhe në vend të dytë Greqia”.

Nina Starova, autore dhe prezantuese e hulumtimit të këtij fondacioni në debatin e mbajtur në Shkup, ku u diskutuan sfidat dhe rekomandimet për uljen e shkallës së papunësisë tek të rinjtë, theksoi se mbi 60 përqind e të rinjve në këtë vend mendojnë se është vështirë të gjendet punë. Ajo shtoi se këto hulumtime tregojnë faktori kryesor për punësim është lidhjet personale dhe politike.

“Fatkeqësisht për shkak të mungesës së këshillimit të karrierës shpresat e tyre nga tregu i punës janë joreale dhe nuk kanë njohuri për tregun e punës”, u shpreh Starova, si dhe shtoi se 50 përqind e të rinjve në vend preferojnë të punojnë në administratë publike, ndërsa 50 përqind mendojnë ose përgatitet të lëshojnë vendin.

Profesor universitar, pjesëmarrës në debat, Dragan Tevdovski, tha se kjo normë e papunësisë tregon se pse të rinjtë emigrojnë nga Maqedonia, duke shtuar se edhe politikat aktuale në vend nuk japin rezultate të mira për motivimin e të rinjve.

“Absolutisht që nevojiten reforma në të gjitha nivelet e arsimit në Maqedoni, nëse me të vërtetë duam një ndryshim serioz, kryesisht për të përmirësuar produktivitetin, për rritjen e pagave dhe për mundësi më të mëdha për punësim. Mirëpo, duhet të jemi të vetëdijshëm se këta reforma duhet të mos vonohen dhe të realizohen sa më shpejtë”, deklaroi Tevdovski.

Fondacioni “Friedrich Eber”, i cili u themelua në vitin 1925, si një trashëgimi politike e presidenti të parë gjerman Friedrich Eber, është një institucion jo fitimprurës, politik me interes publik, i angazhuar në parimet dhe vlerat bazë të demokracisë sociale në punën e tij edukuese dhe të orientuar nga politika. aa

 

Tetovë, mbahet festivali tradicional i këngës qytetare “Teuta”

TETOVË – Në kuadër të manifestimit “Tetova feston Nëntorin” Qendra për Kulturë-Tetovë dhe Komuna e Tetovës organizuan edicionin e 7-të të Festivalit të këngës qytetare “Teuta”, ku me një program të pasur artistik nga të gjitha trojet shqiptare pjesëmarrësit performuan para publikut tetovar.

Kryetare e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, tha se këtë manifestim, tashmë tradicional, jo vetëm që e përkrahin, por edhe konceptualisht e kanë ndërtuar. Ajo theksoi se ky manifestim flet për vlerat e bashkëpunimit mes shqiptarëve të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

“Këtë vit me të vërtetë kishte mjaftë risi. Kombinimi i pjesëmarrësve prej të gjitha trojeve shqiptare është edhe tendenca e këtij manifestimi. Mirëpo, përfshirja edhe e një kori që interpreton në gjuhën turke, i cili u mirëprit nga publiku, edhe njëherë flet për vlerat e tolerancës që shqiptarët i kanë në këto rajone”, deklaroi Arifi.

Në këtë edicion mori pjesë edhe kori “Sevim Baki”, i cili për herë të parë performoi në gjuhën turke, ndryshe nga herët tjera kur koret performonin vetëm në gjuhën shqipe. Ardhja e këtij kori bashkë me dy kore tjera nga Kosova është mbështetur nga Qendra Kulturore “Yunus Emre” – Prishtinë.

Drejtor i Qendrës Kulturore Turke “Yunus Emre” – Prishtinë, Mehmet Ülker, bëri të ditur se koret e ardhur nga Kosova përbëhen prej rreth 80 personash.

“Instituti ‘Yunus Emre’ zbaton punime për promovimin e kulturës, artit turk dhe zgjerimin e fushës së veprimit të tij. Jemi një institucion që synon ndërtimin e urave të miqësisë me vendin në të cilin ndodhemi. Ne synojmë të ndërtojmë ura të vëllazërisë mes shqiptarëve, maqedonasve, turqve dhe kosovarëve”, u shpreh Ülker.

Këtë vit me një program të pasur artistik performuan Kori i grave “Teuta”, si nikoqire e manifestimit, Ansambli “Isuf Myzyri”, Kori “Zërina – Prishtinë”, Kori “Sevim Baki”, Kori i grave të Pejës, si dhe SHKA “Agimi”. aa

Shehapi: “Rregullimi i jashtëm i Muzeut të Alfabetit në Manastir fillon më 2017”

“Sa i përket rregullimit të eksterierit të kësaj godine që ka rëndësi të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e shqiptarëve, është miratuar projekti, i cili do të realizohet me ndihmën e fondeve IPA të BE-së”

SHKUP  – Nga dita e diel, 13 nëntor, me një koncert të organizuar nga SHKA “Kongresi i Manastirit” filloi axhenda e shënimit të manifestimit “Manastiri feston”, kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, ndërsa manifestimi kryesor do të jetë më 22 nëntor me hapjen solemne të Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit dhe figurave prej silikoni të anëtarëve të Komisionit të Kongresit të Manastirit.

Siç theksoi Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Maqedonisë, Behixhudin Shehapi, qëllimi është që në mënyrë sa më madhështore të shënohet kjo ngjarje e rëndësishme e historisë dhe kulturës së popullit shqiptar.

“Projekti i Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit dhe figurat prej silikoni të tyre në të është një projekt i paraparë me Programin e Qeverisë së Maqedonisë për periudhën 2014-2018 dhe është realizuar nga Ministria e Kulturës. Vlera e përgjithshme e projektit, përfundimi i të cilit i ka dhënë pamjen e duhur kësaj dhome, ka arritur shumën e 7.9 milionë denarëve”, theksoi Shehapi.

Shehapi njoftoi se në hapjen e Dhomës Përkujtimore të Komisionit të Alfabetit në Muzeun e Alfabetit Shqip, i cili ndodhet në Manastir, do të marrë pjesë zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe përfaqësues të institucioneve të vendit dhe përfaqësues të lartë nga Shqipëria.

Për shqiptarët e Maqedonisë kjo ditë është ditë feste dhe nuk punohet, ndërsa me vendim të Qeverisë së Maqedoni që nga viti 2008 është themeluar “Muzeu i Alfabetit Shqip” në vendin ku u tubuan dijetarët shqiptarë në Manastir. Mirëpo, ky muze vazhdimisht është përballur me probleme mbi rinovimin dhe pronësinë e të njëjtës.

“Sa i përket rregullimit të eksterierit të kësaj godine që ka rëndësi të pakontestueshme për historinë dhe kulturën e shqiptarëve, tanimë është miratuar projekti, i cili do të realizohet me ndihmën e fondeve IPA të Bashkimit Evropian. Nëse nuk paraqitet ndonjë problem i paparashikuar, realizimi i projektit për rregullimin e jashtëm të godinës së Muzeut të Alfabetit do të duhet të fillojë në fillim të vitit 2017”, deklaroi Shehapi.

Ai shtoi se çështja e pronësisë është rregulluar, por kontestuese janë dy dyqanet që ndodhen në hapësirat e muzeut, për të cilat siç tha ai, për një kohë shumë të shkurtër do të rregullohet edhe çështja e dyqaneve.

Manifestimi “Manastiri feston” do të mbyllet me gala koncertin që do të mbahet në Qendrën e Kulturës në Manastir. Koncerti i përgatitur nga Orkestra e Filarmonisë së Universitetit të Arteve të Shqipërisë “Ibrahim Madhi”, do të dirigjohet nga Olsi Qinani dhe me interpretim solistik të violinistit shqiptar me famë botërore, anëtarit të Filarmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli. Mysafir special në këtë mbrëmje do të jetë njëri nga aktorët e gjithanshëm dhe më të adhuruar nga dashamirët e këtij arti suprem, Çun Lajçi.

Ndryshe, Dita e Alfabetit Shqip apo “Kongresi i Manastirit” shënon mbledhjen e dhjetëra dijetarëve shqiptarë më 14-22 nëntor të vitit 1908 në Manastir, me synimin e përcaktimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në këtë kongres delegatë të ardhur nga anët e Shqipërisë, si dhe nga shoqata dhe klube shqiptare nga mbarë bota, miratuan vendimin e pranimit të alfabetit latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar në 36 shkronja të gjuhës shqipe.

Për popullin shqiptar “Kongresi i Manastirit” ishte ngjarja më e rëndësishme në fillim të shekullit XX, ku me rezultatet e tij më 28 nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë. Me këtë, 22 nëntori mbetet ditë përkujtimore për popullin shqiptar si “Dita e Alfabetit”. aa

Zëvendësministri shkakton aksident, thotë se po sulmohej nga disa shqiptarë

Një aksident trafiku – i shkaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë maqedonase – ka ngritur debate të shumta mbi mos përgjegjësinë e funksionarëve shtetëror në rast të shkeljes së ligjit.

Në fakt, zëvendësministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, ka shkaktuar një aksident, duke goditur – në gjendje të dehur – disa makina, gjatë drejtimit të një makine zyrtare dhe pas incidentit ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Të dhënat janë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga dëshmitarë, edhe pse nga partia e tij, VMRO DPMNE, kanë thënë se Spasov ka shkaktuar aksident në ikje nga një grup kriminelësh që ishin lëshuar pas makinës së tij.

Nga partia e Gruevskit kanë thënë se rasti duhet t’i lihet organeve kompetente dhe se partitë nuk duhet të sjellin vendime apo të ndërmarrin hetime lidhur me këtë, por edhe raste tjera.

Këto pretendimet janë hedhur poshtë, si përpjekje për të ruajtur zyrtarin e qeverisë. Madje, vet ministrja e punës, Frosina Remenski nga LSDM-ja opozitare, e cila merr pjesë në qeverinë kalimtare për organizimin e zgjedhjeve, ka kërkuar dorëheqjen e zëvendësit të saj.

“Dime Spasov duhet të tërhiqet nga pozicioni i zëvendësministrit, për shkak të veprimit të tij të papërgjegjshëm. Për qëllime dhe interesa private, ai ka drejtuar automjetin zyrtar, pasi nuk ka asnjë dëshmi se vetura është përdorur për shërbime qeveritare, ndërsa veç kësaj ai ka rrezikuar edhe sigurinë e udhëtarëve në komunikacion, andaj ai duhet të dorëhiqet”, ka thënë ministrja Remenski.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se në rastin konkret – të paktën zyrtari që ka shkaktuar aksidentin, edhe pse pa pasoja në njerëz – do të duhej të jepte dorëheqje, por, sipas profesorit Bashkim Selmani, një veprim i tillë nuk ndodh në Maqedoni, pasi institucionet janë mbi ligjin.

“Ata që i bëjnë ligjet dhe që i detyrojnë qytetarët për t’i respektuar ato, në fakt ata janë shkelësit më të mëdhenj, që realisht nuk kanë asnjë përgjegjësi. Pra, në këtë rast, ne kemi argumente se në Maqedoni nuk funksionon shteti i së drejtës dhe ligjet që miratohen bëjnë përjashtime”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës penale në Universitetit e Tetovës.

Reagime ka pasur edhe nga sektori civil, i cili gjithashtu kërkon përgjegjësi, jo vetëm nga Dime Spasov, por edhe nga çdo zyrtar tjetër që mund të shkaktojë aksidente apo të shkel ligjin. Pohimet se Spasov ka qenë i sulmuar nga grupe kriminale, aktivistët i vlerësojnë si qesharake.

“Ne kishim mundësi të dëgjojmë gënjeshtrën më të mëdhe nga radhët e tyre se gjoja Dime Spasov, në fakt, ka qenë i sulmuar nga disa shqiptarë që, sipas tyre, kanë të kaluar kriminale…pra, gjoja ai ka qenë i detyruar të ikë që të shpëtojë kokën. Kjo është gënjeshtër e pa dëgjuar ndonjëherë.”

“Ne kërkojmë përgjegjësi nga ky zyrtar i papërgjegjshëm. Vazhdojmë të kërkojmë nga organet e ndjekjes penale dhe të sigurisë që të mos e kursejnë këtë zyrtar – por edhe për të – të vlejë ligji ashtu siç vlen edhe për qytetarët e tjerë”, thotë Pavle Bogoevski, aktivist i shoqërisë civile dhe përfaqësues i Komitetit të Helsinkit.

Aksidente komunikacioni nga zyrtarët kanë ndodhur edhe më parë në Maqedoni, por edhe shkelje tjera, si: kërcënime e sulme fizike ndaj gazetarëve e personave të tjerë, mirëpo deri më tani asnjë prej tyre nuk paraqitur dorëheqje apo të jetë ndjekur nga institucionet kompetente. (REL)

SHQIPTARËT DUHET TË KENË NJË ATDHE, JO DISA ATDHE – Nga Thanas L. GJIKA

 

(Vlerësime për librin “Në strofullën e djallit” të Shpëtim Pollozhanit)

Ne Foto: Z. Shpetim Pollozhani me bashkeshorten dhe miq ne oborrin e shtepise

 

Shoqata e të Burgosurve dhe të Dëmtuarve Politikë Shqiptarë të Maqedonisë me qendër në Shkup, botoi në vitin 2015 librin “Në strofullën e djallit” të ish të burgosurit politik Shpëtim Pollozhani. Ai ka vite që është kryetar i Shoqatës së ish të përndjekurve të Maqedonisë (The association of former political prisoners).

Ishte një fat për mua dhe bashkëshorten time Julia, që në gusht të këtij viti gjatë udhëtimit për të shpërndarë në Kosovë e Maqedoni, librin tim “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 Tiranë 2016), u ndalëm dhe në Strugë, ku miqtë tanë Agim Vinca dhe Ferid Abdullahu na njohën me z. Pollozhani, një nga veprimtarët më të shquar të lëvizjes kombëtare shqiptare të Maqedonisë. Pasi u njohëm me të në lokalet e bukura të shqiptarëve anës lumit Drin, ai na dhuroi këtë libër dhe na vuri në dijeni se së shpejti do të botojë dhe dy vëllime të tjera si vijim, ku do të trajtojë lëvizjen kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë pas shkërmoqjes së Jugosllavisë së Titosin, pra veprimtarinë e tij e të bashkëpunëtorëve të tij të pas vitit 1991.
“Në strofullën e djallit” autori ka përmbledhur në 380 faqe të formatit të madh, ngjarje, kujtime, mbresa nga vitet 1980-1989 kur ai vuajti dënimet në burgjet e RSF të Maqedonisë, në burgjet e Strugës, Manastirit, Ohrit, Idrizovës dhe së fundi në burgun e Kotorit të Malit të Zi.
Ngjarjet dhe personat historikë që përshkruhen aty janë autentikë, pa zbukurime letrareske. Tipar kryesor i këtij libri është besnikëria në riprodhimin e ngjarjeve dhe në përshkrimin e jetës në ato burgje ku nëpunësit, policët, rojet dhe shërbëtorët e tyre, këto qenie çnjerëzore, ua bënin jetën të burgosurve shqiptarë shumë shumë të rëndë derisa disa binin në depresion e vrisnin veten.
Që në faqet e para ndjehet se autori është një penë e talentuar dhe me kulturë (ka mbaruar shkollën e lartë dhe ka marrë formim të mëtejshëm përmes leximit të shumë veprave në disa gjuhë të huaja). Ai ia ka arritur që përmes përshkrimit me stil letrar, mbushur shpesh me sentenca popullore e me thënie nga shkrimtarë e filozofë të njohur, të bëjë tërheqës përshkrimin e jetës në atë ferr, gjë që e tërheq lexuesin derisa e mbaron veprën. Ai nuk mjaftohet vetëm me rrëfimin e jetës së rëndë plot mungesa e vuajtje dhe të torurave që i bëheshin atij dhe të burgosurve të tjerë, por e mbush veprën me gjithçka nga jeta brenda burgjeve, jetë e cila nuk ishte thjesht një nënshtrim a vegjetim, por e mbushur me aktivitete të ndryshme të fshehta nën hundën e policëve, rojeve dhe spiunëve. Të paharrueshëm janë dhe shokët e tij me të cilët ai bashkëvuante e bashkëpunonte në ato kushte aq të vështira. Midis tyre përmenden Zaim Beqiri, Esat Abduramani, Destan Aliu, Bashkim Mashkulli, Kastriot Haxhirexha, Muadin Bajrami, Halit Naxhaku, Bejtulla Ademi, Fadil Bajrami, imam Kadri Pollozhani, etj, etj, të cilët ai i përmend me mirënjohje për veprimtarinë e përbashkët. Veprimtari që shpuri në ndërgjegjësimin e shumë të burgosurve, në kthimin e tyre nga katundarë indiferentë në të përvuajtur që e kuptonin se kush ishin fajtorët e vëtetë të vuajteve të tyre dhe të dinin si të silleshin me ta me dinjitet. Përmes kësaj pune të kujdesshme, vitet e burgimit për shumë fshatarë me origjinë nga zona të thella rurale ktheheshin në një shkollë të vërtetë…
Për të ndihmuar të dënuarit, autori tregon se si arriti të krijonte brenda burgut një bibliotekë të fshehtë me libra, një farmaci me disa barna të urgjencës, thika e çelsa për nevoja të të burgosurve. E gjithë kjo prapavijë e fshehtë, por shumë e dobishme për jetën e të dënuarve u krijua prej Shpëtimit përmes familjarëve të tij, të cilët me sakrifica arrinin të siguronin e të sillnin gjatë takimeve sendet që ai ua porosiste. Përshkrimet e takimeve shpalosin jetën familjare të autorit, ndjenjat fisnike dhe karakterin burrnor të tij dhe të familjarëve si bashkëshortja Xhevahire, nëna Ikbale, vëllai farmacist Bashkimi, vajzat Vjosa, Leza dhe Luleza, rritjen e të cilave babai i burgosur e vërente gjatë takimeve, kur ato i recitonin vargje të shkruara për të.
Marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeveritarët maqedonë autori i ka përshkruar përmes skenave ku ai tregon momente nga gjyqet e tij, nga kontaktet me nëpunësit e burgut. Në të tilla marrëdhënie jepet mendësia atavike antishqiptare e të tillëve njerëz, të cilët përfaqësonin pushtetin e kohës. Pushtet hipokrit, i cili në botë e propagandonte Jugosllavinë si etalon të “bashkim-vllazërimit” të popujve, por që në praktikë vlonte antishqiptarizmi i shfrenuar.
Ky antishqiptarizëm, thotë autori në bisedat gojore me ne, u ka hyrë kaqe shumë në gjak maqedonëve, sa edhe sot ata na shikojnë dhe na trajtojnë ne shqiptarëve si popull të dorës së dytë. Nuk mund ta pranojnë popullin shqiptar si popull i barabartë edhe pse sot është krijuar një brez i ri i shkolluar në universitetet e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe kjo urrejtje do ta shpjerë Maqedoninë drejt shkatërimit si shtet, sepse krahas ne shqiptarëve të pakënaqur janë edhe shumë banorë të viseve lindore të Maqedonisë të cilët janë shpallur si bullgarë dhe kërkojnë të njihen si minoritet kombëtar bullgar. Kështu kombi maqedon sot përben një pakicë në shtetin e shpallur si Maqedoni. Pra si mund të ekzistojë ky shtet ku të quajturat pakica kombëtare shqiptare dhe ajo bullgare, të cilat përbëjnë shumicën, nuk kanë të drejta të barabarta me maqedonët, që përbëjnë pakicën. Ky shtet me këtë politikë nuk mund të shkojë përpara dhe nuk ka si të hyjë në Bashkimin Europian.
Ne shqiptarëve nuk na janë dashur dhe nuk na duhen disa atdhe, na është dashur dhe na duhet vetëm një atdhe dhe atë e kemi, Shqipërinë. Këtë e kam thënë dhe në vepër. Pra vetë sjellja antishqiptare e maqedonëve dhe e sërbëve, na ka ndihmuar dhe na ndihmon të kuptojmë se e ardhmja jonë më e mirë është bashkimi në një shtet shqiptar…” Të tilla vlerësime të veprimtarit dhe politikanit Pollozhani nuk mund t’i kundërshtojë asnjë politikan shqiptar.
Vepra shquhet dhe për aspektin e saj letrar, të cilin e pasurojnë mjaft përshkrime plot lirizëm për disa qenie të gjalla sado të vogla, si merimanga, milingona ose një çift trumcakësh, që i bëhen pjesëtarë të jetës autorit në kohën e izoluar të burgut. Në po këtë funksion janë dhe përshkrimet me dramacitet të disa ngjarjeve njerëzore. Të tillë pasazhe janë përshkrimet e kontrolleve të befasishme, puna e fshehtë për krijimin e mjeteve të ndryshme për të ndihmuar bashkëvuajtësit, riprodhimi i takimeve të shumëpritura me familjarët, sidomos ai në burgun e Kotorit. Ky takim, ndryshe nga takimet në burgun e Idrizovës, kërkonte që familjarët të kryenin qindra kilometra rrugë, dy netë fjetje nëpër hotele dhe plus këtyre një herë ndodhi dhe një aksident automobilistik gjatë të cilit u plagosën nëna e bashkëshortja, etj.
Jo rallë autori riprodhon vargje të disa poetëve tanë të shquar si At Gjergj Fishta, Faik Konica, etj, ose vargje nga krijimtaria popullore, etj. Pollozhani e pëlqen shumë frymën kritike të Faik Konicës ndaj shqptarëve, prandaj ai për të kritikuar politikanët shqiptarë të RFJ të Maqedonisë citon vargjet:
“Sot kanë dalë ca zuazarë.
Që u lintnë shqipëtarë
E punojnë natë e ditë
Që të mbetemi pa dritë.
Eshtë turp prej kësi krimbash
Të mundohet një komb trimash.” (f.329)

Për pasurinë e madhe jetësore të përfshirë në këtë vepër, z. Remzi Zeqja, hartuesi i parathënies së kësaj vepre, me të drejtë, thekson se ky libër mund të cilësohet si “një enciklopedi e vuajtjes gjer në mbijetesë.” (f. 5).
Besnikëria e rrefimit të ngjarjeve përmes një stili të këndshëm letrar na shtyjnë që këtë vepër ta fusim në radhën e veprave më të mira të letërsisë dokumentare shqipe me tematikë nga burgologjia shqiptare.
Propaganda zyrtare e Jugosllavisë së Titos e të Milosheviçit, si thamë e më lart, e paraqiste jetën e atij shteti si një parajsë të bashkim-vllazërimit të popujve. Mirëpo shqiptarët e Kosovës, ata të Maqedonisë, të Malit të Zi e të Sërbisë jugore, vuanin një shtypje të pabesueshme, sepse antishqiptarizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve ushqehej si virtut tek sërbët, maqedonët e malazestë prej atij regjimi që shitej si regjim liberal komunist. E pikërisht këtë atmosferë poshtëruese e torturuese të shqiptarëve kanë në qendër disa vepra të Adem Demaçit për shqiptarët e Kosovës dhe kjo vepër e Shpëtim Pollozhanit për shqiptarët e Maqedonisë.
Veprimtaria atdhetare dhe vuajtjet e autorit të këtij libri nëpër burgjet e ish Jugosllavisë, na kujtojnë vuajtjet e shumë atdhetarëve të tjerë të përmendur në librin e z. Myrteza Bajraktari “Një vështrim tjetër i historisë” (WESTPRINT, Tiranë, 2011, 276 f.).
Mbas leximit të vëmendshëm të këtij libri, bindesh se populli shqiptar i Maqedonisë, që në kohën e Jugosllavisë së Titos e të Miloshevicit, ka ecur drejt forcimit të ndërgjegjes së tij kombëtare. Ai e meriton atë vlerësimin që i pati bërë njëzet e ca vjet më parë, studiuesi, poeti, kritiku, analisti, profesori Agim Vinca, i cili e quajti “Popull i pandalur”, në përmbledhjen e tij me analiza e polemika me këtë titull.

Debat i ashpër në Parlament: VMRO DPMNE kërkon dorëheqjen e Prokurores Speciale

Deputetët e partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE gjatë debatit tri ditësh në komisionin për sistem politik në kuadër të parlamentit të Maqedonisë, gjatë prezantimit të prokurores speciale publike Katica Janeva për punën e saj gjashtë mujore, kanë theksuar se puna e saj “është shumë larg pritjeve”.

Ata thanë se “ajo nuk ka kapacitet për të realizuar detyrën për të cilën është zgjedhur” dhe e kritikuan prokuroren speciale “për anshmëri, duke punuar për interesat e partisë maqedonase në opozitë”. Gjithashtu deputetët e VMRO-DPMNE thanë se “ajo nuk është objektive”.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Kërste Mukoski, ka kërkuar dorëheqjen e prokurores speciale Katica Janeva, me arsyetimin se po “tallet me institucionin më të lartë ligjvënës në vend duke punuar në favor të opozitës”.

“E dini se çka do të thotë pozita e Prokurores speciale publike? E shihni se sa shumë kamera televizive u janë drejtuar? Të gjithë presin nga ju që të zgjidhet kriza e jo që t’i ndihmoni opozitës të vijë në pushtet. Opozitën as Zoti nuk mund ta ndihmojë të vijë në pushtet” ,ka theksuar deputeti i VMRO DPMNE-së Kërste Mukoski.

Përderisa zonja Janeva shkurt u është përgjigjur deputetëve se Institucionit të Prokurorisë Speciale, në vazhdimësi i bëhet obstruksione nga gjykatat e vendit duke i bërë shumë pengesa në realizimin e detyrës për të cilën është përgjegjëse.

“U humbën më shumë se gjashtë muaj në labirintet gjyqësore. Kohë që duhej të përfundojë lënda “puç” ku do të bëhej shumë e qartë se kush ka përgjuar. Pyetem nëse parlamenti ka ndërmend të kërkojë përgjegjësi nga kryetarja e këshillit gjyqësor dhe se kush është fajtor për prolongimet e shumta që kanë të bëjnë me marrjen e dëshmivetë kësaj lënde”, ka theksuar Katica Janeva Prokurore Speciale Publike e Maqedonisë.

Ajo tha se i janë “humbur tri ditë në vend që kohën ta shfrytëzojë për punë”.

Njohësit e çështjeve politike thonë se debati i ashpër i cili zhvillohet tanimë tri ditë në Parlamentin e Maqedonisë gjatë prezantimit të prokurores speciale publike për punën e saj gjashtë mujore, ka të bëjë me “goditje të ulëta nga ana e deputetëve të pushtetit” si rrjedhojë e frikës që kanë nga hetimet që zhvillon ky institucion dhe aspak s`kanë të bëjnë me analizën profesionale të punës së këtij institucioni.

“Mendoj se këta deputetë nuk përfaqësojnë atë që e kërkojnë qytetarët e Republikës së Maqedonisë prandaj prej gjithë këtij debati na servohet një cirk qëllimi final I të cilit është që të poshtërohet puna e zonjës Janeva duke e vendosur atë në një pozitë të pafavorshme duke krijuar para opinionit një pasqyrë se ajo nuk është serioze gjatë kryerjes së detyrës”, thekson Arsim Sinani komunikolog.

Nga ana tjetër avokati Zvonko Davitkoviq vlerëson se për tri ditë gjatë raportimit të zonjës Katica Janeva – prokure speciale Publike para deputetëvetë parlamentit pothuajse nuk është dëgjuar asnjë pyetje lidhur me përmbajtjen e raportit që duhet ta mbrojë ajo.

“I shoh deputetët të cilët më shumë janë të interesuar për kapacitetin e saj profesional, përvojën dhe gjëra të këtilla. Harrojnë se pikërisht ata me votën e tyre e zgjodhën në krye të institucionit Prokurore Speciale Publike. Kishte më shumë propozime po në fund katër liderët e partive kryesore politike Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi thanë se Katica Janeva është si kuadër nga më të mirët për të realizuar këtë detyrë”, nënvizon avokati Zvonko Davitkoviq.

Debati në parlament për raportin gashtë mujor të punës së Prokurores speciale të Maqedonisë vazhdon. (REL)

Edhe 15 vjet nga Marrëveshja e Ohrit, gjuha shqipe e padefinuar

Edhe 15 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, ende nuk ka një zgjidhje të plotë të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni, gjë që në vazhdimësi ka shkaktuar debate e polemika të shumta, nëse përdorimi i saj është ose jo i garantuar me Kushtetutë.

Në nenin 7 të aktit më të lartë juridik thuhet: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20% e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare”.

Nga ky përkufizim i Kushtetutës nuk theksohet prerazi se zyrtare është edhe gjuha shqipe, por ajo përkufizohet, si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e shtetasve. Edhe si e tillë, përkufizimi që i bëhet në vazhdim ka lë hapësirë për interpretime të ndryshme pasi vazhdim të nenit 7 ajo përkufizohet si zyrtare vetëm se në njësitë e pushtetit lokal, ku pjesëtarët e bashkësive etnike që janë mbi 20 për qind, do të mund të përdorin gjuhën e tyre në komunë, si dhe në komunikimin me pushtetin qendror.

Mospërkufizimi i qartë dhe interpretimet e ndryshme, kanë shkaktuar në vazhdimësi polemika edhe për përdorimin e saj në nivel qendror.

Deputetët shqiptarë kanë të drejtë të përdorin gjuhën shqipe gjatë fjalimeve, por nëse njëri prej tyre udhëheq me seancat, atëherë kjo e drejtë u mohohet.

Ngjashëm është edhe me ministrat shqiptarë, të cilët shqipen mund ta përdorin në ndonjë manifestim rasti, por jo edhe në komunikim zyrtar, madje as në komunikim me deputetët shqiptarë në Kuvend. Partitë në pushtet, disa herë kanë ndërhyrë me zgjidhje ligjore, por pa një zgjidhje përfundimtare.

“Rregullimi me ligj i përdorimit të gjuhës shqipe nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit, që do të thotë se përdorimi i gjuhës shqipe, edhe pse ka avancime, ka ngelur i hapur dhe duhet që në një të ardhme të afërt ky problem duhet të zgjidhet. Rregullimi i statusit të gjuhës shqipe do të reflektonte pozitivisht në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, thotë Rafis Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Ai që nga emërimi në këtë post, para dy viteve, asnjëherë nuk ka udhëhequr me seancat e Kuvendit, pikërisht për shkak të pamundësisë së drejtimit të tyre në gjuhën shqipe.

Lidhur me këtë çështje të pazgjidhur, së fundi është prononcuar edhe lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, i cili për herë të parë ka theksuar nevojën për zgjidhjen e drejtë të këtij problemi.

Zaev ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga përdorimi i zyrtar i gjuhës shqipe, edhe në nivel të Republikës. Me këtë ai ka lë për të kuptuar se Lidhja Social- demokrate angazhohet për një përkufizim të ri të përdorimit të gjuhës shqipe.

Maqedonasit nuk humbin asgjë nëse dikush fiton të drejtën që në mënyrë të barabartë integrohet në sistemin tonë… Qytetarët nuk humbin asgjë nëse dikush fiton ndonjë të drejtë më shumë. Pra, nuk është aspak e vërtetë se maqedonasit do të humbin nëse shqiptarët fitojnë diçka më shumë… Unë jam i vetëdijshëm për rreziqet nga një qëndrim i këtillë, shumë rreziqe kam ndërmarrë këtë periudhë, por kam vendosur ta ndërmarr edhe këtë rrezik”, ka thënë Zaev.

Deklarata e Zaevit ka nxitur reagime të shumta në opinion. Nga VMRO-ja e ish- kryeministrit Nikolla Gruevski ka thënë se një gjë e tillë nuk do të kalonte asnjëherë.

“Një politikë e këtillë anti-maqedonase nuk do t’ju kaloj…Ju jeni të gatshëm të hiqni dorë nga idealet dhe ëndrrat e gjeneratave maqedonase, vetëm që të vini në pushtet. Ne shumë mirë e dimë se numri më i madh i mbështetësve të LSDM-së nuk mbështesin politikat e tuaja humbëse dhe antikombëtare. Prandaj, ata nuk do të rrinë duarkryq, por do ta dënojnë politikën tuaj, e cila ka për qëllim ri-definimin e Maqedonisë”, ka thënë Ilija Dimovski, kryetar i Grupit Parlamentar të VMRO-së.

Përveç VMRO-së, reagime ka pasur edhe nga intelektualë maqedonas, të cilët e zyrtarizimin e shqipes e shohin si humbje të sovranitetit dhe rrënim të themeleve të shtetit maqedonas.

Bashkim Selmani, njohës i çështjeve juridike dhe profesor në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështjet ndëretnike, gjithmonë janë ngritur apo u kanë shërbyer partive për qëllime politike. Ai uron që deklarata e Zaevit, të mos jetë vetëm për qëllim të përfitimit të votave të shqiptarëve, pasi çështja e gjuhës duhet mbyllur njëherë e përgjithmonë.

Për moszgjidhjen e këtij problemi, Selmani fajëson, para së gjithash partitë shqiptare të cilat, sipas tij, edhe 25 vjet demokraci nuk arritën të imponojnë zgjidhjen e drejtë të çështjeve shqiptare.

“Mendimi im është se Zaevi nuk e ka thënë për shkak se i vlerëson apo i do shqiptarët, por më tepër e ka menduar si një të drejtë që e respektojnë shumë shtete. Mendimi i tij ka kahe perëndimore, pasi e sheh se pengesë për shtetin mostrajtimin e duhur të të drejtave të shqiptarëve. Ai me këtë jep sinjal se duhet të respektohen të drejtat që na takojnë me konventat dhe me ligjet”, thotë Selmani.

Ai shton se modeli më i mirë i mbylljes së çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, duhet të jetë Kosova, ku në gjithë territorin e saj, përveç gjuhës shqipe, zyrtare është edhe gjuha serbe.(REL)

Dy tërmete në Shkup, ekspertët thonë se nuk ka vend për panik

Pamje nga një pjesë e Shkupit

Në Shkup sot në mëngjes janë hetuar dy tërmete.

Sipas Qendrës evopiane të Mesdheut, intensiteti i tyre ishte 4.4 dhe 2.8 shkallë, por Observatori sizmik i Fakultetit matematiko-natyror në Shkup ka kumtuar se dridhja më e fortë ishte me intensitet 3.9 shkallë.

Dridhjet janë hetuar në mëngjes në orën 6.58 dhe 6.59, tre kilometra në verilindje të Shkupit, raporton agjencia Beta.

Mediat lokale kanë raportuar se këto dridhje e kanë shqetësuar popullatën, por ekspertët e sizmologjisë thonë se nuk ka vend për panik.

Maqedoni – Borxhet vazhdojnë të rriten, standardi jetësor të bjerë

Borxhi i Maqedonisë vazhdon të rritet pavarësisht kritikave të shumta, jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertët dhe opinioni më i gjerë në vend. Pas marrjes së 450 milionë eurove borxh në muajin korrik, Qeveria e Maqedonisë ka njoftuar për marrjen e një borxhi të ri prej 30 milionë eurosh nga shitja e letrave me vlerë.

Sipas ekzekutivit, këto para që pritet të sigurohen nga kreditorët vendorë, do të shpenzohen për shlyerjen e detyrimeve financiare, por pa saktësuar nëse bëhet fjalë për paga apo shlyerje të borxheve të vjetra.

Nga Ministria e Financave kanë thënë se “gjendja me borxhet nuk është aq kritike sa që raportohet në media, pasi Maqedonia nuk bie në grupin e shteteve me borxhe të larta”.

Enti Shtetëror i Statistikës ka njoftuar se në tremujorin e dytë, rritja ekonomike ka arritur në 2.2 për qind, por nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, vlerësojnë se kjo rritje nuk e përmirëson aspak gjendjen e rëndë ekonomike.

“Që të ketë rritje të standardit jetësor rritja duhet të jetë më së paku mbi 5 për qind”, thonë nga LSDM-ja.

Ekspertët thonë se gjendja e këtillë është pasojë e marrjes pa kriter të borxheve dhe shpenzimit të parave të marra në projekte joproduktive. Se gjendja nuk është e volitshme, flet edhe fakti se brenda vitit kemi dy rishikime të buxhetit, thotë Fatmir Bytyçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Në mënyrë konstante kemi projektime të buxheteve me një deficit prej 3.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Edhe më parë dihej se ky ritëm nuk do të sjellë një rritje ekonomike të dëshiruar që qytetarët ta ndjenin në mënyrë pozitive”.

“Ne kemi një situatë kur në një periudhë 9 mujore miratojmë dy rishikime të buxhetit. Me këtë qytetarëve çdo ditë e më shumë iu rritet borxhi që shteti e merr në emër të tyre. Vlerësoj se vitin 2016 do ta mbyllim me huamarrje ende më të madhe”, vlerëson Bytyçi.

Ndërkohë, nga qeveria në vazhdimësi janë lavdëruar me investime të huaja, por duke heshtur rastet e largimit të disa kompanive të kishin vendosur të investojnë në sektorin e elektronikës, por edhe në sfera tjera.

Profesori i ekonomisë, Vanço Uzunov, nuk pret jo vetëm investime, por edhe zhvillim ekonomik, për shkak të politikave jo të mira qeveritare, por edhe për shkak të mungesës së stabilitetit të përgjithshëm për shkak të krizës politike.

Ai thotë se të gjitha premtimet që bëhen kanë për qëllim pikët politike, tani në prag të zgjedhjeve të dhjetorit.

“Kjo tani më është dëshmuar se premtimet e dhënë në kohë të zgjedhjeve nuk do të thotë se janë të vërteta. Nuk pres që të keni investime deri në fund të vitit. Ato mund të paraqiten, por vetëm nga vera e ardhshme, kur pritet të ketë një pasqyrë më të qartë të gjendjes politike pasi duhet të kihet parasysh se edhe në pranverë kemi zgjedhje lokale. Pra në aspektin ekonomik, nuk pres ndonjë ndryshim të gjendjes momentale”, thekson Uzunov.

Nga ana tjetër, Fatmir Bytyçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se gjendja ekonomike, në të cilën ndodhet Maqedonia, nuk mund të zgjasë edhe shumë për shkak të uljes së standardit jetësor të qytetarëve.

“Kjo politikë nuk mundet të vazhdojë, politika tjetër do të jetë ajo e tkurrjes së investimeve, tkurrje të shpenzimeve që tradicionalisht nuk janë pranueshme si masë stimuluese sociale. Atëherë mendoj se qytetarët do ta ndiejnë në lëkurën e vet këtë gjendje të rëndë pasi me të ardhurat që marrin, e kanë vështirë të mbyllin 10 ditë të muajit, e jo më një muaj të tërë”, shton Bytyçi.

Borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë ka arritur në rreth 5 miliardë euro dhe prej tyre 1.8 miliardë euro në gjashtë vitet e fundit. Politikat ekonomike të Maqedonisë në vazhdimësi janë kritikuar nga institucionet relevante financiare ndërkombëtare.

Ljubço Georgievski: Maqedonia s’ka asnjë rrënjë që lidhet me historinë antike

SHKUP– “Maqedonia s’ka asnjë rrënjë dhe gjurmë, që ndërlidhet me historinë antike”, ka thënë ish-kryeministri i Maqedonisë, Ljubço Georgievski, në një intervistë për të përditshmen “Utrinski Vesnik”, duke shtuar se “rrënjët e popullit maqedon, janë sllave”, duke e akuzuar qeverinë për propagandë dhe për antikuizim, shkruan Zhurnal.

“Argumenti kryesor i pushtetit aktual është se nëse do t’i vëmë një parashtresë emrit të shtetit, të tipit “e epërme” ose “veriore”, do ta ndrysojmë identitetin e popullit maqedonas. Nuk ka ndryshim më të madh për identitetin e njeriut, nga ky që i është bërë popullit maqedonas nga ana e OBRM-PDUKM-së. Ndrryshimi i parë i identitetit u bë me ndërhyrjen e parë në historinë për antikuizicion që u bë pakurrfarë baze… As që ka gjurmë dhe rrënjë që ndërlidhen me historinë antike. Momenti i dytë për ndryshimin e identitetit është invazioni masiv nëpërmjet mediave që tërësisht kontrollohen nga OBRM-PDUKM të cilat emitojnë program paradoksal që e ndryshon kodin e identitetit”, thotë ish-kryeministri dhe ish-lideri i partisë OBRM-PDUKM, Ljubço Georgievski.

Shkup: Akademikët shqiptarë të ASHAM-it distancohen deklarata e kryetarit për Nënën Terezë

Anëtarët shqiptarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) distancohen nga fjalimi i kryetarit, Taki Fiti, i cili në kuadër të akademisë solemne kushtuar shenjtërimit të Nënës Terezë, tha se Gonxhe Bojaxhiu rrjedh nga një familje e përzier etnike.

“Ne, anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Maqedonisë; Luan Starova nënkryetar, Alajdin Abazi anëtar i kryesisë, Abdylmenaf Bexheti anëtar i rregullt dhe Izet Zeqiri anëtar korrespondent, në mënyrë kategorike distancohemi nga fjalimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë Taki Fiti në tendencën e kontestimit të përkatësisë kombëtare të Shën Terezës si dhe vazhdimësinë e tendencës për përvetësimin e figurës së saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të dërguar në redaksinë e Portalb.

Sipas tyre, askush nuk mundet të paracaktojë përkatësinë etnike të kujtdo qoftë, e “aq më pak të figurës së Shën Terezës kur ajo vetë në testamentin e saj përcakton për nga gjaku përkatësinë shqiptare”.

“Fatkeqësisht nuk është hera e parë që ASHAM vihet në shërbim të politikës ditore”, shkruajnë akademikët shqiptarë.

Dy vëllezër me mbiemrin Begaj viktima nga rrëzimi i aeroplanit në afërsi të Shkupit

Dy vëllezër me mbiemrin Begaj, kanë vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në afërsi të Shkupit, raporton Alsat.

Dy vëllezërit kanë humbur jetën së bashku me katër shtetas italianë. Sipas të dhënave të siguruara deri më tani, njëri prej vëllezërve quhet Visar Begaj, dhe të dy janë investitorë.

Qëllimi i udhëtimit, ka qenë iniciativa e dy vëllezërve investitorë kosovarë, të cilët kanë dashur të hapnin një klub për fluturime në Istog.

Mediat italiane raportojnë se Aeroplani ishte destinuar të ulej në Shkup, për të bërë një kontroll teknik.

Nga kontrolli i fluturimeve vlerësojnë se avioni mund të jetë humbur për shkak të motit të keq, megjithatë ende nuk është konfirmuar arsyeja e vërtetë e humbjes së avionit.

Për momentin sipas informatave jozyrtare bëhet fjalë për avion me mbishkrim gjerman i cili është dashur të ulet në Shkup për të marr lëndë djegëse. Ende nuk ka informata nëse është gjetur avioni dhe ku ka qenë destincioni final i fluturimit.

Shkup: Avioni i zhdukur është rrëzuar – në bord dyshohet se ishin edhe dy kosovarë

Prokuroria publike në Maqedoni, në një njoftim për media, ka bërë të ditur nisjen e hetimeve për zbardhjen e tragjedisë ajrore që ndodhi në afërsi të Shkupit.

“Pas informave të marra, Prokuroria publike, në koordinim me institucionet kompetente ka ndërmarrë masa për përcaktimin e vendit të fatkeqësisë, sigurimin e lokalitetit dhe nisjen e hetimeve. Po grumbullohen informata dhe fakte relevante për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Publike të Maqedonisë.

Një avion italian me gjashtë pasagjerë në bord, që u zhduk nga radarët, njoftohet të jetë rrëzuar afër Katllanovës në jug të Shkupit.

Sipas informatave jozyrtare policore, në bordin e avionit të vogël gjendeshin katër shtetas italian dhe dy shtetas të Kosovës.

Ekipet e shpëtimit kanë njoftuar për gjetjen e një trupi të djegur, ndërsa janë në kërkim edhe të personave të tjerë që gjendeshin në bord.

Avion u zhduk nga radarët e kontrollit të fluturimeve të aeroportit të Shkupit rreth orës 17 e 40.

Banorët e një lokaliteti rreth10 kilometra në jug të Shkupit kishin njoftuar qendrën e fluturimeve se kanë dëgjuar shpërthime të fuqishme dhe zjarr, duke pretenduar se bëhet fjalë për një avion të rrëzuar.

Sipas të dhënave zyrtare, avioni i zhdukur fluturonte nga Trevizo e Italisë, që ishte zhdukur nga radarët menjëherë pasi kishte njoftuar drejtuesit e aeroportit se do të ulej për t’u furnizuar me kerozinë.

Destinacioni i fundit i avionit supozohet të ketë qenë Prishtina. (REL)

Humbja në Shkodër e tërbon gazetarin maqedonas: shqiptarëve do t’ua bëjmë si më 2001

Gazetarit maqedonas, Milenko Nedellkovski, i ka djegur fort humbja e kombëtares së tij nga Shqipëria në “Loro Boriçi”. Nedellovski i cili njihet për gjuhën e tij të urrejtjes ndaj shqiptarëve, e ka quajtur stadiumin e Shkodrës “Arena e Sllobodan Millosheviçit”, ndërsa i ka paralajmëruar shqiptarët për vazhdimin e konfliktit armatosur të vitit 2001.

“Arena Sllobodan Millosheviç na solli fat dhe federata e Shqipërisë sonte dha një propozim që arena të riemërohet te Stojançe Angellov. Shiu i rrëmbyeshëm e detyroi arbitrin që ta ndërpresë lojën në 20 minutat e fundit për të vazhduar loja sot, ku edhe fitoi Shqipëria ndaj Maqedonisë me rezultat 2:1. Ajo e natës së fundit do të luhet sot. Ajo e vitit 2001 do të luhet së shpejti…’, ka shkruar gazetari maqedonas.

Si duket me gjasë këto statuse ndoshta janë si ‘hakmarrje’ ndaj gazetarit të SuperSport dhe Digitalb, Dritan Shakohoxha, për shkak se arenën ”Filipi i Dytë” (“Filip Vtori”) në Shkup e ka quajtur si arena ”Adem Jashari”./Syri.net/

Akademia e Maqedonisë: Nënë Tereza nuk është shqiptare

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë konteston prejardhjen shqiptare të Nënë Terezës. Gjatë një eventi përkujtimor të ASHAM-it kushtuar shenjtërimit të Terezës nga Vatikani, kryetari i saj Taki Fiti deklaroi se Nënë Tereza rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier etnike.

“Ngjarja e jetës së Nënë Terezës, dëshmon se në hapësirat tona kanë jetuar në paqe, tolerancë dhe mirëkuptim të ndërsjellë, njerëzit me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike. Ajo rrjedh nga një familje me prejardhje të përzier nacionale. Mesazhet e thella humane nga vepra dhe angazhimi i Nënë Terezës sot duhet të jenë të thurura në të gjitha segmentet dhe poret e jetës sonë, në jetën e zakonshme, në shkencë, kulturë, politikë e kështu me radhë”, deklaroi Fiti.

Ministrja e Kulturës Elizabeta Kancevska–Milevska theksoi se të gjithë popujt në Maqedoni janë trashëgimtarë të Nënë Terezës dhe duhet ndjekur shembullin e saj për t’u bërë njerëz më të mirë.

“Sot lirisht mund të themi se të gjithë ne jemi trashëgimtarë krenarë të Nënë Terëzës dhe kemi detyrë historike që ta vazhdojmë veprën e saj, misionin e saj për paqe dhe dashuri për vendin dhe barazi në mes popujve në mbarë botën”, deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska–Milevska, shkruan Alsat-M.

Ndërkaq, Anton Sereçi, studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës ka shfaqur revoltën e tij që edhe pas kanonizimit të saj si e shenjtë nga Vatikani, në Maqedoni shfaqen akoma dilema se kush ishte Nënë Tereza. Vetë Papa Francesku gjatë ceremonisë së shenjtërimit e potencoi prejardhjen e saj etnike.

“Kur vij nga Vatikani dhe dëgjoj fjalët që u thanë në gjuhën shqipe, thanë se Nënë Tereza është Gonxhe Agneze Bojaxhiu, e lindur në Shkup në familje shqiptare. Vetë Papa Francesku i thotë ato fjalë. Dhe vij këtu në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë, i dëgjoj personat të cilët nuk dinë as vetë për atë se kush është Nënë Tereza, çfarë ka qenë dhe çfarë ka bërë dhe e potencojnë tërë kohën Nënë Tereza shkupjania. Përkatësia kombëtare askund nuk përmendet askund nuk përmendet sepse ajo i takon mbi të gjitha botës, por të gjithë e din se ajo është shqiptare, këtë nuk e konteston askush. Vetëm në këtë shtet ku jetojmë mjerisht merremi me ato gjëra t’i shtrembërojmë gjërat, jo vetëm rastin e Nënë Terezës por edhe shumë gjëra të tjera”, deklaroi Anton Sereçi, studijues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës.

Vetë Nënë Tereza në deklaratën e saj të dhënë për mediat globale pati thënë:
Me gjak jam shqiptare,
Me shtetësi jam indiane,
Nga besimi jam murgeshë katolike,
Nga thirrja i përkas botës,
Me zemër i përkas plotësisht Zemrës së Krishtit!

Sipas Sereçit, as në Muzeun e Nënë Terezës në Shkup nuk ka të punësuar asnjë shqiptar ndërsa ato të punësuar që janë maqedonas dhe serb, nuk thonë asnjëherë se Nënë Tereza ka prejardhje shqiptare. Por për këtë ai akuzon partitë politike shqiptare që lejojnë të ndodhin këto lëshime në sy të tyre. Në akademinë e sotme përkujtimore të ASHAM-it kushtuar figurës së Nënë Terezës, nuk pati asnjë politikan shqiptar, as nga pushteti e as nga opozita. Alsat kërkoi sqarim nga BDI se a kanë pasur ftesë apo jo për pjesëmarrje në këtë eveniment, por nuk morëm përgjigje.

Ja pse s’morën pjesë liderët e shqiptarëve të Maqedonisë në shenjtërimin e Nënë Terezës

Asnjë nga liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni nuk mori pjesë në ceremoninë e sotme të shenjtërimit të humanistes shqiptare Nënë Tereza në Vatikan.

Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov ka ftuar kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe ate të PDSHçsë Menduh Thaçi në këtë ceremoni, por Ahmeti nuk ka shkuar me arsyen se nuk e njeh Ivanovin si president, ndërsa në PDSH nuk ka asnjë përgjigje.

LSDM e udhëhequr nga Zoran Zaev dhe anëtari i kryesisë së saj shqiptari katolik Bartolomej Kajtazi janë pjesë e delegacionit në Vatikan.

Në Vatikan nuk kanë udhëtuar as edhe liderët e partive më të vogla politike.

Ndërkohë, shumë shoqata dhe aktivistë nga Maqedoni, përfshirë edhe një delegacion të diasporës nga SHBA sot po morën pjesë në ceremoninë në Vatikan, shkruan INA.

Më 13 gusht 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit – Çfarë është Marrëveshja e Ohrit?

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, që u nënshkrua më 13 gusht 2001, është një kontratë shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtutjeshëm të shtetit të quajtur, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Kjo kontratë e të dy popujve u bë e mundshme pas konfliktit të armatosur, që ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e Bashkësisë ndërkombëtare, e cila dha kontributin e vet për zgjidhje politike të krizës ndëretnike në IRJM.

Roli i Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e konfliktit dhe arritjen e marrëveshjes politike ishte i pazëvendësueshëm. Qysh gjatë zhvillimeve luftarake në IRJM, Unioni Evropian dhe SHBA, dërguan përfaqësuesit e tyre: Francois Leotard dhe James Perdew, si ndërmjetësues për arritjen e paqes.

Pas negociatave të mundimshme me palët e konfrontuara, ata përgatitën dokumentin e ashtuquajtur “Versioni Draft i Dokumentit Kornizë”, të cilin më 7 korrik, 2001, ua dorëzuan katër liderëve, pjesëmarrës në Qeverinë e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe presidentit Trajkovski.

Gjatë zhvillimit të negociatave në Ohër, faktori politik shqiptar startoi me pozicione euro-perëndimore. Ai nuk doli me kërkesa për ndarje territoriale, por për barazi të plotë etnike, që ishte në harmoni me parimet europerëndimore. Në fakt, kërkohej që karakteri multietnik i shoqërisë maqedonase të pasqyrohet në rregullimin shtetëror.

Ndërkaq, pala maqedonase mbante pozicion ekskluziv duke refuzuar kërkesën që pasqyronte diversitetin objektiv të shoqërisë në konceptin e shtetit. Ose me fjalë tjera, përderisa pala maqedonase synonte të kontrollojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve, pala shqiptare nuk ndërhynte në korpusin e të drejtave të maqedonasve. Fundi i negociatave shqiptaro-maqedonase ishte Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në momentin kur pritej që negociatat e Ohrit të marrin fund, qarqe të caktuara nacionaliste, qeveritare dhe joqeveritare maqedonase filluan të japin deklarata të pamatura, të cilat shkaktuan reagime të ashpra të përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Këto deklarata përpiqeshin të minojnë procesin politik dhe projektin e marrëveshjes të hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë. Por, qendrat e vendosjes ndërkombëtare ia bënë me dije palës maqedonase, se: “Rrugëdalje më të mirë, pos pajtimit dhe nënshkrimit të këtij dokumenti nuk ka”.

Negociatat shqiptaro-maqedonase, në Ohër, zgjatën rreth dhjetë ditë dhe përfunduan më 13, gusht, 2001. Nën trysninë ndërkombëtare, konflikti shqiptaro-maqedonas u mbyll me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Ajo u nënshkrua në Shkup, nga përfaqësuesit shqiptarë dhe maqedonas, që merrnin pjesë në koalicionin e zgjeruar qeveritar: Lupço Georgievski, Arbën Xhaferi, Branko Cërvenkovski dhe Imer Imeri. Këtë marrëveshje e nënshkroi edhe kryetari i shtetit, Boris Trajkovski dhe ndërmjetësuesit evro-amerikanë, Leotard dhe Perdew.

Por çfarë përmban kjo marrëveshje, që edhe 14 vjet më pas sa herë flitet për situaten në Maqedoni, referimi është pikërisht tek ky akt?

Marrëveshja është e ndërtuar mbi 5 parimet themelore, të cilat u bashkëshoqeruan me ndryshimet kushtetuese, të cilat konfirmuan shoqërinë shumë-etnike maqedonase dhe ku u sanksionua se shqiptarët janë etni shtetformuese.

Marrëveshja kornizë synonte zhvillimin e qetë dhe harmonik të shoqërisë maqedonase duke respektuar njëkohësisht identitetin etnik dhe interesat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.

Kjo garantohej përmes përmbajtjes së saj, ku decentralizimi ishte ndër pikat kryesore, pasi siguronte qeverisjen e tyre nga bashkësia më e madhe e popullatës që e përbën .

“Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mosdiskriminimin.” E reflektuar në ligj kjo pikë e marrëveshjes kërkonte që në punësimet në administratën publike të sigurohej përfaqësimi i drejtë i bashkësive në të gjitha organet qendrore dhe lokale publike dhe në të gjitha nivelet e punësimit në këto organe.

Përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese kërkohet të bëhet mbi propocionin e përfaqësimit në Kuvend sipas etnive. Shqiptarët që përbëjnë mbi 30 % të popullsisë maqedonase përmes Marrëveshjes së Ohrit iu garantohej e drejta e përdorimit si gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase edhe ajo shqip. Simbolet kombëtare gjithashtu.

Ndërsa Marrëveshja e Ohrit ishte një kontratë juridike, kapitujt e të cilës parashihnin afate konkrete, shqiptarët atje, faktori politik shqiptar, raportet ndërkombëtare, përfaqësuesit e vendeve perëndimore, mediat në mënyrë të vazhdueshme kanë denoncuar se asnjë prej angazhimeve të ndërmarra 14 vjet më parë nuk është realizuar plotësisht.

Punësimet, përfaqësimi në institucione, pushteti vendor, gjuha dhe simbolet kombëtare dhe aq më pak ndalimi i diskriminit nuk u arritën as në mënyrë të kënaqëshme, shkaqe për të cilat shqiptarët janë shpesh në rrugën e protestës, pasi Marrëveshja e Ohrit nuk iu siguroi atë që synonte, qytetarë të barabartë me maqedonasit.

Parimet themelore te Marreveshjes se Ohrit

1. Nderrimi i pushteteve vetem permes zgjedhjeve te lira dhe demokratike

2. Garantohet sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonise.

3. Konfirmohet karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase

4. Ndertim i shtetit demokratik

5. Zhvillimi i pushtetit vendor

Permbajtja e Marreveshjes se Ohrit

1. Ndërprerja e armiqësive

2. Zhvillimi i pushtetit të decentralizuar

3. Mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë

4. Perfaqesim ne gjyqesor ne propocion me popullsine

5 Gjuhe zyrtare eshte edhe gjuha amtare kur popullata eshte mbi 20%

6 Shprehja e identitetit (perdorimi i simboleve te bashkesise ne zonat ku ata perbejne shumicen). /Top Channel/

‘Rasti i Kumanova’, keqtrajtimi i të akuzuarve alarmon ndërkombëtarët

Njoftimet për keqtrajtimin e të akuzuarve në rastin e Kumanovës kanë tërhequr vëmendjen edhe të faktorit ndërkombëtar. Avokati mbrojtës Naser Raufi konfirmoi se ambasadat e huaja në vend, veçanërisht ajo amerikane e kontaktojnë shpesh herë për të mësuar të vërtetën rreth informatave për brutalitetin policor që ushtrohet ndaj të akuzuarve në këtë rast, njofton Alsat M.

Raufi njoftoi se një ditë më parë kishte kërkuar edhe ndërrimin e trupit gjyqësor pasi e kishte penguar që ti parashtronte pyetje dëshmitarit të koduar. Sipas Raufit, mënyra e vetme për zbardhjen në tërësi të këtij rasti është kalimi i tij te Prokuroria Speciale.

Nga ana tjetër Prokuroria Speciale, nuk e ka konfirmuar, por as e mohoi mundësinë që ky Institucion të hetojë rastin e Kumanovës.

Komiteti i Helsinkit: Para zgjedhjeve shtohet dhuna dhe urrejtja nacionale në Maqedoni

Numri i rasteve të dhunës nga urrejtja është në rënie por mbetet dominues numri i rasteve të dhunës sipas përfaqësimit etnik. Sipas raportit të ri të Komitetit të Helsinkit, vitin e kaluar është regjistruar ulje e rasteve të dhunës nga urrejtja, por praktika ka treguar se ato janë në rritje gjatë periudhës para zgjedhjeve.

“Së këndejmi ne vlerësojmë se partitë politike në luftën për vota si nga pala maqedonase po ashtu edhe nga ajo shqiptare, qëllimisht nxisin vepra të këtilla penale nga urrejtja, që më pastaj të tregohen si mbrojtjes të popullit të tyre, gjegjësisht bashkësisë etnike dhe kështu, ata fitojnë pikë dhe vota gjatë kohës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Vojislav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Statistikë zyrtare për vepra penale të iniciuara nga urrejtja nuk ka. Ndërsa hulumtimet e Komitetit bazohen në komunikim me policinë dhe informimin e mediave për këto vepra. Sipas këtyre të dhënave në vitin 2013 ka pasur 110 vepra kriminale nga urrejtja, në vitin 2014 – 80 vepra, ndërsa në vitin 2015 vetëm 44.

Sipas Komitetit të Helsinkit, vitin e kaluar numri më i madh i dhunës nga urrejtja është regjistruar ndaj emigrantëve. Si shembull më pozitiv ku jetojnë grupe të ndryshme etnike e që deri më tani nuk ka pasur vepër penale që është iniciuar nga urrejtja përmendet qyteti i Dibrës.

Polici maqedonas e pranon se Mirsad Ndrecaj u kap i gjallë

Rryma elektrike nuk ka qenë shkaku i vërtetë për ndërprerjen e seancës së djeshme gjyqësore për “Grupin e Kumanovës”, mëson ekskluzivisht Gazeta Lajm nga burime të afërta me mbrojtjen e të akuzuarve.

Edhe pse zyrtarisht rryma dhe defektet teknike u përmendën si shkak për ndërprerje, burimet tona thonë se shkaku i vërtetë ka qenë dëshmia e një polici pjesëmarrës në aksionin te “Lagja e Trimave”, i cili para gjykatës ka dhënë një dëshmi tronditëse. Ai ka pranuar para gjykatës se Mirsad Ndrecaj është arrestuar i gjallë prej policisë.

“Gjatë marrjes së kryqëzuar në pyetje, njëri prej avokatëve i bëri dëshmitarit të mbrojtur një pyetje me ‘sherr’. Avokati e pyeti policin se a e ka arrestuar ai Mirsad Ndrecajn, apo kolegu i tij, polici u përgjigje se Mirsadin e ka arrestuar një kolegë i tij. Kjo shkaktoi tollovi në gjykatë, reagoi trupi gjykues, duke kërkuar që të ndërpritet seanca dhe të fshihet dëshmia e policit”, thonë burimet e gazetës “Lajm”.

Sipas tyre, kjo dëshmi e policit (dëshmitar i mbrojtur), konfirmon dyshimet që ekzistonin në opinion që nga 10 maji.

“Dal ngadalë po del në shesh e vërteta se Mirsad Ndrcaj, por ndoshta edhe ndonjë pjesëtar tjetër i Grupit të Kumanovës është likudiar pasi është arrestuar”, thonë burimet e Gazetës Lajm.

Gazeta Lajm kontaktoi edhe me avokatët mbrojtës të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, mirëpo ata zyrtarisht as nuk e konfirmuan e as e demantuan informacionin tonë. Marrim vesh se ditët në vijim ata do të dalin dhe do të flasin publikisht për shkaqet e vërteta për ndërprerjen e seancës së ditës së premte gjyqësore.

Ndryshe dëshmia e policit (dëshmitar i mbrojtur), përputhet edhe me audio-dëshminë e Sulejman Osmanit i cili në një bisedë të incizuar me Xhezair Shaqirin, ka thënë se me sytë e tij ka pa duke u arrestuar të gjallë Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj. Sulejman Osmani në këtë dëshmi mes tjerash ka thënë se përmes një bisede telefonike, pjesëtarët e Grupit të Kuanovës kanë marrë garanci nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, se nëse dorëzohen, nuk do të arrestohen prej policisë, por se do të pranohen nga ekipe të OSBE-së por se janë tradhtuar, duke rënë në dorë të policisë maqedonase.

Miëpo kjo dëshmi e policit, tani i jep një dimension të ri dhe shumë më të bazuar akuzave për “Tradhtinë e madhe në Kumanovë”, si dhe jep një profil më të qartë të atyre që kanë tradhtuar.

Ndryshe, zyrtarisht seanca u ndërpre për shkak të problemeve me korrentin në Gjykatë,. Deri në ndërprerjen e seancës kishte dëshmuar vetëm një dëshmitar i mbrojtur. Pala mbrojtëse beson se në pesë seancat e ardhshme pritet të përfundojnë të gjithë dëshmitarët e mbrojtur. Avokatët thanë se sot asnjëri nga pjesëtarët e grupit të Kumanovës nuk është ankuar për keqtrajtim nga ana e policisë. Për keqtrajtimin e deritanishëm të pjesëtarëve të grupit të Kumanovës kanë reaguar edhe nga Komiteti i Helsinkit. “Ne menjëherë kërkuam t’i vizitojmë këta të paraburgosur, për të cilët kishte pohime se kishin qenë të lënduar, madje lëndime serioze si p.sh: thyerje e nofullës , njolla nëpër trup e të ngjashme. Kërkuam leje për vizitë në burg, në kushte normale Gjyqi çdo herë na ka lejuar t’i vizitojmë të burgosurit , por në këtë rast nuk na u lejua një gjë e tillë. Me këtë nuk mundëm të vërtetojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë , por duke i lexuar raportet e Avokatit të popullit , ne mendojmë se ka pasur sulme ndaj atyre njerëzve”, deklaroi Voislav Stojanovski, Komiteti i Helsinkit. Deri tani më të keqtrajtuar nga ana e policisë, sipas avokatëve kanë qenë Andi Krasniqi, i njohur si komandant Malisheva, Demë Shehu e Ekrem Arifi. Për keqtrajtimin e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës së fundmi u përplasën ministri i brendshëm Çavkov i cili hodhi poshtë pohimet e avokatëve dhe zëvendësi i tij Agim Nihiu i cili pohonte të kundërtën. Seanca e radhës për Kumanovën mbahet më 28 korrik

Studentët shqiptarë grisin diplomat e kolegjit të Gylenit

SHKUP- Një grup i ish-nxënësve të kolegjit ‘Jahja Kemal’, ku pronar është Fetullah Gyleni, kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit në Shkup, ndërsa nuk kanë nguruar që të grisin edhe diplomat e tyre.

Ky reagim vjen fill pas tentativave të djeshme për grusht shteti në Turqi. Muhamed Tahiri u bëri apel gjithë prindërve që të mos i regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë kolegj, që të mos e bëjnë gabimin e njëjtë që e kanë bërë ata.

“Si pasojë e ngjarjeve të mbrëmshme të organizuara nga grupi terrorist i Fetullah Gylenit, në territorin e Republikës së Turqisë, ne sot shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj këtij institucioni arsimor i cili është i dirigjuar po nga ky grupacion. Prandaj ne si studentë të diplomuar nga kolegji Jahja Kemal sot gjendemi këtu për ta shprehur revoltën tonë ndaj këtij institucioni arsimor. U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë që të jenë më të kujdesshëm se kujt ia lënë amanet fëmijët e tyre.
Fjala e fundit që ne duam tua përcjellim qytetarëve tanë është kjo. Ne dje gabuam, ju nesër mos gaboni. Ndaj sot revoltën tonë do ta shprehim me grisjen e diplomave tona”, deklaroi Muhamed Tahiri, ish-nxënës i këtij kolegji, shkruan shenja.

Vazhdon sot seanca gjyqësore për grupin e Kumanovës

Në gjykatën e Shkupit sot vazhdon seanca e radhës për të akuzuarit në rastin e Kumanovës për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar. Alsat-M njofton se seanca zhvillohet me dyer të mbyllura dhe se të akuzuarit janë sjellë në gjykatë nën masa të rrepta sigurie.

Procesit të 29 të akuzuarve për terrorizëm në lagjen e trimave në Kumanovë, me 4 maj iu bashkua edhe lënda e grupit të logjistikës me 8 persona të akuzua për mbështetje logjistike për grupin të armatosur gjatë incidentit të armatosur më 9 dhe 10 maj të vitit të kaluar në Kumanovë.

Policia maqedonase e vazhdon torturën ndaj Grupit të Kumanovës

SHKUP – Edhe përkundër reagimeve të trupit gjykues për të ndaluar torturën ndaj të akuzuarve në rastin “Lagja e Trimave” brutaliteti policor ndaj tyre ende vazhdon. Për nesër në Shkup është caktuar seanca e radhës, por ajo vështirë se do të mbahet, pasi avokati mbrojtës Naser Raufi kërkon me ngulm dënimin e autorëve që kanë bërë deliktin e torturës. Në të kundërtën, nuk ka kuptim të zhvillohet seanca, kërcënon ai.

“Rrugëdalja e vetme është që të pritet që të sanksionohen këto veprues e mandej të vazhdojë seanca pasi që këta të akuzuar nuk janë në gjendje të vazhdojnë me gjykimin”, tha avokati mbrojtës Naser Raufi. Ndërkohë zëvendës-ministri i policisë Agim Nuhiju nuk e konsideroi të udhës për t’u përgjigjur në pyetjen e Alsat-M se deri ku është arritur me hetimin lidhur me keqtrajtimin e të akuzuarve për rastin “Lagja e Trimave”.
“Sot jemi vetëm për të promovuar zyrat, drejtouni një herë tjetër, do të keni informatë zyrtare”, u shpreh Nuhiju. Më së shumti torturë është ushtruar ndaj të akuzuarve Demë Shehu dhe Andi Krasniqit gjatë sjelljes së tyre në gjykatë nga burgu i Prilepit. Deri më tani akoma nuk ka asnjë garanci se kallëzimet penale që janë dërguar në Prokurorinë themelore nga ana e MPB-së dhe Avokatit të Popullit do të përmbyllen me marrjen e dënimit të merituar për dhunuesit ndaj të dyshuarve.

ltr1ltr3ltr4

Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve kundërshton demarkacionin me Malin e Zi

(Lidhja: Marrëveshja për demarkacionin e kufirit shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, e nënshkrua më 27 gusht 2015, në Vjenë, kryeqytetin e Austrisë.

Kjo marrëveshje, për palën kosovare u nënshkrua nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igor Llukshiq, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Rashko Konjeviq. Dëshmitarë të nënshkrimit të saj ishin, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, si dhe ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Sebastian Kurz.)

AKADEMIA SHQIPTARE AMERIKANE E SHKENCAVE DHE ARTEVE – NJU JORK

AKADEMIA SHQIPTARE AMERIKANE E SHKENCAVE DHE ARTEVE – SHKUP  

Duke marrë parasysh se, 

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi, e negociuar që nga viti 2009, me ndërmjetësim ndërkombëtar të Bashkimit Evropian, e nënshkruar gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor, më 27 gusht 2015, në Vjenë të Austrisë, ka krijuar pakënaqësi, revoltë dhe kundërshtime në popullin e Kosovës, në qarqet akademike, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në diasporën shqiptare, si dhe në partitë politike opozitare të Kosovës, të cilat gati një vit protestojnë fuqishëm kundër kësaj marrëveshje, bashkë me banorët e Komunës së Pejës, të Rugovës dhe Podgurit, të cilët protestojnë sidomos për mënyrën e imponimit të kësaj marrëveshje, me kushte të padrejta dhe poshtëruese ndaj qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar për shkëmbim të liberalizimit të vizave për qarkullim të lirë në zonën e Shengenit, t’i falin shtetit fqinj, Malit të Zi, një territor prej afërisht 82 kilometër katrorë.      

Përderisa, pala malazeze është shprehur se marrëveshja është shembull për rajonin dhe paraqet konfirmim se rajoni është i përkushtuar në procesin e integrimit në BE dhe NATO, ndërsa pala kosovare nënshkruese e marrëveshjes konsideron se ajo është në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke konsideruar se Kosova tanimë e ka përmbyllur procesin e demarkacionit të kufirit me Shqipërinë, Maqedoninë dhe tani me Malin e Zi, me shpresë që së shpejti kjo çështje do të përmbyllet edhe me Serbinë, në anën tjetër, pakënaqësia e popullit të Kosovës, përmes subjekteve politike dhe qarqeve akademike vazhdon të rritet, me tendencë të përshkallëzimit të situatës dhe cenimit të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit.

Me faktin se, ratifikimi i kësaj marrëveshjes për demarkacionit është caktuar nga BE-ja si kriteri i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën, ndërsa shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka kërkuar që të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshje, si kusht i fundit për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës, opozita kosovare disa muaj me radhë është duke e bojkotuar punën e Kuvendit, duke konsideruar se një kusht të tillë nuk e ka pasur asnjë shtet tjetër për liberalizim të vizave, madje as Kroacia, e cila akoma ka probleme me Slloveninë për demarkacionin e kufirit mes tyre, ku çështja është dërguar në Gjykatën e Arbitrazhit. Prandaj, konsiderojmë se, edhe për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të veprohet në këtë mënyrë, me formimin e një komisioni të ri, të përmirësohet ky version dhe pastaj të ratifikohet në Kuvend, apo në rast të mospajtimit mes palëve të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit.

Mbetemi me shpresë se, Bashkimi Evropian nuk mendon seriozisht që ta përdor këtë çështje si kusht për zvarritjen e mëtutjeshme të liberalizimit të vizave, pavarësisht se Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, konsideron se pa zgjidhjen e çështjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi nuk do të ketë liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.

Duke marrë parasysh se, kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave, qytetarët e Pejës kanë organizuar protesta masive, ndërsa është nënshkruan edhe një peticion nga qytetarët e Kosovës, ku mbi 200 mijë qytetarë janë deklaruar kundër kësaj marrëveshje, edhe shumë organizata joqeveritare, akademikë, profesorë dhe intelektualë janë deklaruar kundër saj, të cilët i kanë drejtuar apele Qeverisë, Parlamentit dhe Presidentit të Kosovës që kjo marrëveshje të mos ratifikohet nga Parlamenti. Edhe deputetët e partive opozitare janë deklaruar se nuk do të kthehen në Kuvend derisa të mos hiqet nga rendi i ditës ratifikimi i kësaj marrëveshje.

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka thënë se marrëveshja e demarkacioni duhet të ratifikohet patjetër, por nuk ka thënë që të bëhet pikërisht siç e ka vendosur komisioni qeveritar, duke i falur afërsisht 82 kilometër katror tokë Malit të Zi.

Duke u bazuar në argumentet e paraqitura, ekspertët e kësaj çështje konsiderojnë se kjo kërkesë nuk ka ardhur nga Bashkimi Evropian, por nga vetë klasa politike kosovare, e cila me dinakëri mundohet ta mashtrojë popullin dhe t’i falë Malit të Zi pjesë nga territori i Kosovës, pa kushte të njohura për opinionin e vendit dhe atë ndërkombëtar. Madje, disa zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të BE-së nuk janë në dijeni se si ka rrjedhur që kjo marrëveshje të jetë kusht për liberalizimin e vizave, përderisa nuk ka qenë kusht për asnjë shtet tjetër.

Duke marrë parasysh se, marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ende nuk është sjellë në Kuvend për ratifikim, dhe në ndërkohë vazhdon të jetë kusht për liberalizim të vizave, shumica e kosovarëve mendojnë se BE-ja duhet ta kuptojë që Kosova nuk mund të bëhet gjithmonë kurban i Ballkanit, për faljen e territoreve të veta shteteve fqinje.

Ekspertë të kësaj çështje theksojnë se, pikërisht tek vendkalimi i Kullës, në rrugën Pejë–Rozhajë, kufiri është i vendosur pesë kilometra brenda territorit të Kosovës dhe me këtë rast Kosovës i janë marrë 12 mijë hektarë tokë, të cilat i takojnë me kadastër Komunës së Pejës.

Njohës të së drejtës ndërkombëtare konsiderojnë se kjo marrëveshje ndërshtetërore nuk e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, si dokument që e cakton vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe nisur nga ky fakt, edhe Kuvendi i Kosovës nuk e ka të qartë se me çfarë procedure duhet ta bëjë ratifikimin e saj.

Duke konsideruar se, ekspertët parashohin dy rrugë kushtetuese përmes të cilave mund të bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, edhe atë: e para, është nëpërmjet votimit në Kuvend, ku pa votën ,,për” të dy të tretave të deputetëve nuk mund të ratifikohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare, që ka të bëjë me territorin e shtetit. Por, ka marrëveshje për një listë çështjesh të tjera, në të cilën nuk bën pjesë çështja e territorit, të cilat ratifikohen pas nënshkrimit nga presidenti i shtetit.

Qytetarët e Kosovës, subjektet politike opozitare dhe shumica e ekspertëve të kësaj çështje konsiderojnë se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk do të prodhojë paqe, dhe se kushti i BE-së për Kosovën është i padrejtë, duke qenë kërkesë vetëm për Kosovën, që të ratifikohet kjo marrëveshje e demarkacionit si kusht që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në zonën e Shengenit.

Disa akademikë, intelektualë, profesorë, studiues dhe profesionistë të kësaj çështje, nga një tubim shkencor i organizuar në Tiranë, janë bashkuar në thirrjen drejtuar Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë lidhur me marrëveshjen e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke apeluar që t’i thuhet Jo dhënies së territoreve për viza!

Këto forca intelektuale, duke e ndjekur me shqetësim vendosjen e një kushti të paprecedent për popullin e Kosovës, sa i takon përfitimit të lëvizjes së lirë në zonën Shengen, konsiderojnë se, pasi që Republika e Kosovës i plotësoi të gjitha kushtet dhe kriteret e vendosura, edhe pse ato qenë ndryshe dhe më shumë se për të gjitha shtetet e tjera që morën liberalizimin e vizave, BE vendosi një kusht shtesë, që t’i jepet Malit të Zi një pjesë e territorit të Kosovës, të cilin e konsiderojnë si një kusht i padrejtë, i paarsyeshëm dhe denigrues për çdo shqiptar.

Ju përkujtojmë se,

Pozita gjeografike e trojeve shqiptare, me pasuri të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore, përherë ka qenë tragjike për popullsinë autoktone shqiptare, e cila përjetoi pushtime të njëpasnjëshme përgjatë shekujve, sidomos pas Paqes së Shën Stefanit, Kongresit të Berlinit, Konferencës së Londrës, kësaj radhe edhe Samitit të Vjenës, ku shembulli i trojeve shqiptare mund të jetë i vetmi në botë, ku kushtëzohet vetëm pala shqiptare, edhe pse harta politike e shtetit të tyre kufizohet nga të katër anët me trojet e veta etnike të grabitura nga shtetet fqinje.

Ashtu siç ndodhi në mënyrë të dhunshme copëtimi i territoreve në fund të shekullit nëntëmbëdhjetë dhe përgjatë shekullit njëzet, me ndikimin dhe vendimin e Fuqive të Mëdha, pavarësisht kundërshtimeve të popullsisë autoktone shqiptare, me ndikimin e Rusisë dhe luajtjen e rolit të e viktimës nga popullsia sllave e gadishullit Ballkanik, duke i shpërblyer me toka shqiptare, drejtpërsëdrejti ndikuan në formimin e shteteve të reja sllave në territoret etnike shqiptare, në këtë rast edhe formimin e shtetit të Malit të Zi dhe atë të Maqedonisë.

Mali i Zi synim kryesor përgjatë historisë ka pasur zgjerimin në territoret shqiptare, siç kërkoi nga Kongresi i Berlinit, aneksimin e Plavës dhe Gucisë. Mbasi ushtria e Malit te Zi nuk mundi ta pushtojë me luftë Plavën dhe Gucinë kërkoi nga Kongresi i Berlinit që t’i jepen Hoti dhe Gruda, por pasi nuk arriti ta pushtoi as Hotin e Grudën, Mali i Zi kërkoi nga Kongresi i Berlinit që t’i jepet një zonë tjetër, Ulqini dhe Tivari.

Me gjithë vendimet e Fuqive të Mëdha për aneksimin e këtyre territoreve Malit të Zi, populli shqiptar asnjëherë nuk u pajtua më këtë ndarje dhe gjatë gjithë kohës bëri rezistencë të armatosur dhe kurrë nuk e njohu pushtimin malazez.

Populli shqiptar nga Plava, Gucia, Ulqini, Tivari, Ana e Malit, Hoti, Gruda, Trieshi, Koja e Podgorica gjithmonë qëndruan të rreshtuar në ballë të luftërave për çlirimin e këtyre territoreve të aneksuara. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si republikë e ish federatës jugosllave, Malit të Zi iu dha edhe Rozhaja, e cila ishte nën administrimin e Pejës deri në vitin 1945.

Duke konsideruar se, demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk duhet të konsiderohet si çështje formale dhe teknike, por si çështje politike që e cenon sovranitetin shtetëror dhe tërësinë e trojeve etnike shqiptare, si e tillë nuk është vetëm çështje e Kosovës, por edhe çështje e tërë kombit shqiptar, duke marrë parasysh luftën dhe përpjekjet shekullore për mbrojtjen dhe ruajtjen e tërësisë tokësore të trojeve etnike. 

Edhe pse ekspertët kanë ofruar shumë fakte për këtë çështje, siç është Kushtetuta e Malit te Zi e vitit 1947, e cila e përshkruan saktë vijën kufitare, ku shihet qartë se vija kufitare ka qenë Çakorri dhe Kulla, por këto fakte të ofruara më herët Qeveria e Kosovës nuk i ka marrë parasysh, prandaj, apelojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta rishikojë edhe një herë këtë çështje dhe të sjell vendim të drejtë, duke pasur parasysh përherë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të Kosovës.

Duke pasur parasysh këto fakte, u bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos pranojë kushte që e vendosin vendin në pozicione të pafavorshme krahasuar me vendet tjera të rajonit, duke konsideruar se Qeveria e Kosovës nuk është e detyruar të pranojë kushte të padrejta dhe të pabarabarta, krahasuar me shtetet tjera, në dëm të integritetit territorial.

Ndërsa, Qeveria e Republikës së Shqipërisë të mos jetë indiferente ndaj copëtimit të mëtejshëm të territoreve shqiptare, por t’i përdorë të gjitha mundësitë për eliminimin e këtij kushti të padrejtë dhe të dëmshëm për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në shtetet e Bashkimit Evropian.  

Demarkacioni i kufirit është çështje midis dy vendeve sovrane, Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk mund të bëhet peng për marrëveshje ndërkombëtare që Kosova lidh me palë të treta, në këtë rast me vendet anëtare të marrëveshjes Shengen të BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarët kudo që janë, duhet ta ndalojnë krijimin e precedentit që për çdo të drejtë anëtarësimi në marrëveshjet evropiane të detyrohen t’u japin territore fqinjëve të tyre ballkanikë.

U bëjmë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, TA RISHIKOJNË MARRËVESHJEN PËR DEMARKACIONIN E KUFIRIT SHTETËROR MES KOSOVËS DHE MALIT TË ZI, dhe të sjellin vendime të drejta, në interes të qytetarëve të Kosovës, të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, vlerave të demokracisë perëndimore për qarkullimin e lirë të njerëzve, ideve dhe kapitalit, si dhe kultivimin e fqinjësisë së mirë mes vendeve dhe popujve të Ballkanit.      

Nju Jork-Shkup, 11 korrik 2016                             

Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Nju Jork

Kryetari, Prof. Dr. Skender Kodra

Akademia Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve – Shkup

Kryetari, Prof. Dr. Abdulla Mehmeti 

Gazetari maqedonas: Do ta djegim Ambasadën dhe ambasadorin amerikan (fotot dhe video)

Një ndër megafonët më të zëshëm të qeverisë së VMRO-së së Nikolla Gruevskit, “gazetari” Milenko Nedelkovski, ka kërcënuar publikisht Ambasadën amerikane në Maqedoni dhe ambasadorit Xhes Bejli.

Ai ka shkruar se herën e parë kur i është vënë flaka ambasadës, kanë shpëtuar lehtë, ndërsa kësaj radhe do të jetë shumë më keq, duke u kërcënuar se do t’i djegin të gjallë ambasadorin dhe stafin tjetër në ambasadë, transmeton Fakte.

postimmm

Në kohën e bombardimeve të caqeve serbe nga NATO për shkak të genocidit ndaj shqiptarëve të Kosovës, një grup qytetarësh të Maqedonisë, ndër të cilët edhe gazetarë (Dragan Pavloviq Llatas dhe të tjerë), i vunë flakën Ambasadës amerikane në Shkup. Fatmirësisht nuk pati të lënduar dhe viktima.

“Atëherë shpëtuan b.thën. Kësaj radhe (…) të dhier do të shkojnë në atë botë”, ka shkruar Nedelkovski, duke shtuar se kështu do të jenë “shembull për të gjithë ata që duan ta rrënojnë shtetin”./GazetaExpress/

djegia-e-ambasades-ne-shkup-1999_1468153292-3831059

protesat-anti-nato-dhe-anti-shba-ne-shkup-me-1999_1468153506-9558250

Maqedonia përdor standarde të dyfishta për bashkësitë fetare dhe etnike

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ka thënë se “feja dhe njëkohësisht edhe bashkësitë etnike në Maqedoni nuk trajtohen në mënyrë të barabartë”.

Ai tha se në vend përdoret një ‘drejtësi selektive’, që, sipas tij, “thellon hendekun e ndasive etnike dhe fetare” dhe e pamundëson ndërtimin e “një shoqërie të sigurt dhe demokratike në përputhje me standardet e vendeve të zhvilluara demokratike, ku ligji vlen për tëgjithë njëlloj”.

Deklaratat e kryetarit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë u bënë pikërisht në ditën e festimit të Bajramit të Madh nga besimtarët e fesë islame gjithandej Maqedonisë.

“Maqedonia për momentin është në një krizë të thellë politike dhe kjo krizë e thellë politike nuk është e rastësishme. Sigurisht se është rrjedhojë e mosveprimit të shtetit juridik. Veprimi i shtetit ka qenë dhe është me dy kute të ndryshme. Përdoren standarde të dyfishta në mes bashkësive të ndryshme fetare dhe etnike në Maqedoni”, tha Rexhepi, duke nënvizuar të mos ketë besuar se që prej pavarësimit ‘Maqedonia mund të vijë në një gjendje të rëndë’.

“Gjendje ku shteti në formë të barabartë nuk i trajton të gjitha përkatësitë etnike dhe ato fetare. Gjendja në Maqedoni është e mjerueshme, por me vullnetin e Zotit, shpresojmë që Maqedonia, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, të orientohet kah e mira, kah perspektiva e këtij shteti multietnik dhe multifetar”, ka thënë kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.

Sipas tij, politikat diskriminuese të Qeverisë janë të dukshme edhe në kthimin e pronave të Bashkësisë Fetare Islame, sikur edhe në përkujdesjen ndaj institucioneve fetare islame, të cilat veprojnë në Maqedoni, përfshirë medresenë Isa Beu dhe Fakultetin e Shkencave Islame, që nuk kanë mbështetje nga institucionet e shtetit.

Duke folur për rëndësinë që ka feja, zoti Rexhepi ka thënë se askush nuk duhet të ketë frikë nga besimtarët myslimanë në Maqedoni, sepse ata duhet shikuar si shtyllë kyçe për stabilitetin e shtetit të Maqedonisë.

“Kurani si libër i shenjtë, e që njëherësh llogaritet si Kushtetuta e të gjithë myslimanëve në botë, në tekstin e vet 33 herë përmend paqen, vetëm dy herë e përmend luftën dhe në asnjë rast nuk e përmend armën – shpatën. Kjo do të thotë se të gjitha janë insinuata, që në vazhdimësi, trillohen për Islamin”, ka deklaruar Rexhepi.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, në festën e Bajramit të Madh, ka përcjellë porosi paqeje dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve.

“Në këtë ditë festive po përcjell mesazhet si kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, që të kultivojmë sa është e mundur dashurinë e ndërsjellë, respektin, tolerancën dhe të binden të gjithë se Maqedonia nuk ka të ardhme tjetër përvec ndërtimit të bashkëjetesës së sinqertë”, ka thënë Sulejman Rexhepi, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.

Kumanova kërkon drejtësi për Almirin, i cili u godit qëllimisht me veturë

Bekon Limani nga organizata “Zani” kërkoi që organizatorët të distancohen nga çdo veprim politik apo partiak, ndërsa partitë politike të mos keqpërdorin këtë proteste për qëllime personale

KUMANOVË – Në organizim të Organizatës Joqeveritar “Zani” me sloganin “Me Almirin! Për Drejtësi” qytetarët e Kumanovës marshuan rrugëve të qytetit për të kërkuar drejtësi për fëmijën 4 vjeçar Almir Aliu nga Kumanova, i cili ndërroi jetë ditë më parë si pasojë e goditjes me veturë qëllimisht, pas një zënke banale mes të atit të tij dhe të dyshuarit për vrasje.

Organizatorët e protestës apeluan deri tek autoritetet kompetente që vrasësi të marrë dënim maksimal, pasi që siç porosisin ata, e ardhmja e çdo shoqërie janë fëmijët dhe kur të cenohet jeta dhe integriteti i tyte, atëherë cenohet edhe ekzistenca e tërë shoqërisë.

Bekon Limani nga organizata “Zani” kërkoi që organizatorët të distancohen nga çdo veprim politik apo partiak, ndërsa partitë politike të mos keqpërdorin këtë proteste për qëllime të përfitimeve personale. Ai shtoi se me anë të kësaj proteste kërkojnë mbrojtjen, qetësinë, paqen dhe prosperitetin që ju mungon qytetarëve.

“Shpresojmë dhe besojmë se të gjitha institucionet të cilat janë të involvuara në procesin e zbatimit të drejtësisë, do të jenë konstruktive në dhënien e dënimit të merituar, dënimin maksimal. Maqedonia edhe njëherë i ka në test institucionet e veta dhe sundimin e ligjit për të gjithë njësoj dhe pa diskriminim. I japim përkrahje maksimale gjyqit që të kalojë këtë test. Nëse Boban del i çmendur, edhe ne të gjithë do të çmendemi”, deklaroi Limani.

Protestuesit u tubuan para gjimnazit “Sami Frashëri” dhe marshuan drejt Gjykatës Themelore të Kumanovës, ku dhe përfundoi protesta në mënyrë paqësore.

Ndryshe, fëmija 4 vjeçar Almir Aliu ndërroi jetë të premten në klinikën e Shkupit, si pasojë e plagëve të marra nga goditja me veturë qëllimisht nga i dyshuari Boban Iliq të cilit Gjykata Themelore e Kumanovës i ka caktuar 30 ditë paraburgim dhe i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim”. aa

Publikohet videoja me pamjet ku makina përplas 4-vjeçarin në Kumanovë

KUMANOVE– Mediat maqedonase kanë publikuar momentin kur makina përplas për vdekje fëmijën 4-vjeçar në Kumanovë. Varrimi i Almirit 4-vjeçar u bë ditën e shtunë ndërsa sot pritet të mbahen protesta në të cilat do të kërkohet drejtësi dhe dënim maksimal për atë që kishte bërë shkeljen e tij, maqedonasin Boban Iliç, i cili tanimë gjendet në paraburgim.

Për vrasjen e Almirit 4-vjeçar kanë reaguar qytetarët, subjektet nga Maqedonia dhe nga jashtë, institucionet, por edhe i gjithë opinioni i gjerë.

Sedat Aliu, babai i Almirit 4-vjeçar i cili u vra mizorisht pak ditë më parë nga një shtetas maqedonas në spitalin e Kumanovës, ka rrëfyer për “Telegraf”, ngjarjen e rëndë që i mori jetën të birit.

“Ishim në spitalin e Kumanovës duke pritur radhën për t’i dhënë djalit një injeksion. Në ato momente erdhi një rast urgjent dhe ne i dhamë përparësi. Këtë gjest njerëzor nuk e mirëpriti B.I., i cili po priste njëjtë në radhë. Madje ai, i revoltuar thirri në telefon përforcime për të më sulmuar mua me familjen”, – ka thënë Aliu.

“Në këto rrethana m’u desh edhe mua të thërras vëllaun dhe nipin tim. Pasi dolëm jashtë, ata kishin qenë duke na pritur të armatosur. Morën hov dhe na goditën së pari me makinë të tipit ‘Mercedes C200’. Na mbështetën për muri. Djalin tim e bëri copa, gruas dhe mua na shkaktoi lëndime të rënda, ndërsa më pas dolën nga vetura duke na rrahur me shkopinj bejsbolli. Këtu e pësuan rëndë edhe vëllai im A.A. dhe nipi im S.D., të cilët gjendet njësoj në gjendje të rëndë në Spitalin e Shkupit”, – është shprehur babai i 4-vjeçarit, vdekja tragjike e së cilit ka shkaktuar një zemëratë të përgjithshme veçanërisht te shqiptarët e Maqedonisë.

“Pikë së pari, ju faleminderit të gjithë shqiptarëve që kanë qenë masivisht në varrim, ju faleminderit të gjithëve! Për momentin kemi përkrahjen e gjithë familjes, shokëve, dashamirëve. Nuk di si ta përshkruaj, po Zoti deshti kështu, dhe ashtu edhe u bë!” – tha Sedat Aliu, babai i katërvjeçarit Almir Aliu. Sedat Aliu thotë se kjo ishte një vrasje e qëllimshme, ndaj pret që Boban Iliç të marrë dënimin maksimal. “Ne presim prej organeve, institucioneve të shtetit që krimineli të marrë dënimin e merituar, maksimalisht”, – thekson prindi i Almirit, Sedat Aliu.

Mijëra qytetarë përcollën dy ditë më parë në banesën e fundit Almirin e vogël, në varrezat e qytetit në Kumanovë. Miq, dashamirës e bashkëqytetarë trokitën në derën e familjes Aliu, në ditën e parë të pritjes, për të ndarë dhimbjen së bashku dhe për t’u shprehur ngushëllime për humbjen e pakompensueshme.

Në rrjetet sociale, qytetarë të thjeshtë kanë bërë postime nën hashtagun #WhoIsAlmir4, në të cilat shprehin sensibilizimin e tyre për ngjarjen e rëndë, e cila fillimisht u përcoll si një aksident dhe më pas rezultoi se mund të kishte sfond etnik. Vrasja mizore e Almirit 4-vjeçar nga Kumanova nga maqedonasi Boban Iliç ka shkaktuar reagime të shumta dhe revoltë në Maqedoni. Në disa fletushka që po shpërndahen në Kumanovë dhe në rrjetet sociale, paralajmërohen protesta ditën e sotme në Kumanovë. Marshi protestues do të fillojë para gjimnazit “Sami Frashëri” dhe do të mbarojë me bllokimin e rrugës ku ndodhen institucionet e gjykatës, komunës dhe stacionit policor.

Vdekja e Almirit – Anulohet koncerti tradicional i Fitër Bajramit në Kumanovë

“Si rezultat i tragjedisë që ndodhi në qytetin e Kumanovës, respektivisht vdekjes së katërvjeçarit Almir Aliut që vdiq pas plagëve të marra nga shkelja e qëllimshme me makinë nga një bashkëqytetar maqedonas, me keqardhje ju njoftojmë se anulojmë organizimin dhe mbajtjen e koncertit tradicional të Fitër Bajramit”, njoftojnë nga Forumi Rinor Islam – Kumanovë dhe Shoqata për Edukim Vllaznia – Kumanovë.

“Ne si organizata të poshtëshënuara shprehim indinjatën tonë të thellë për humbjen e Almirit, por edhe ngushëllimin tonë ndaj familjes Aliu dhe të gjithë qytetarëve të Kumanovës, duke u solidarizuar me familjen dhe gjithë ata që ndjenë dhimbje me rastin e humbjes së bashkëqytetarit tonë katër vjeçar. Le të jetë kjo një shenjë proteste ndaj atij akti vandal, dhe thirrje që organet gjegjëse të marrin hapat e duhura dhe autori i kësaj vepre jonjerëzore të marrë denimin maksimal për vrasje me paramendim”, thuhet në njoftim.

Shkup – Gjykata Kushtetuese nuk shqyrton kushtetutshmërinë e Kryqit në Butel

Është shtyrë seanca e sotme e Gjykatës Kushtetuese në të cilën duhej të shqyrtohej kushtetutshmëria e propozimit për vendosjen e një kryqi me përmasa të mëdha në komunën e Butelit në Shkup

SHKUP – Është shtyrë për të mërkurën e ardhshme seanca e sotme e Gjykatës Kushtetuese në të cilën duhej të shqyrtohej kushtetutshmëria e propozimit për vendosjen e një kryqi me përmasa të mëdha në komunën e Butelit në Shkup, iniciativë kjo e parashtruar në muajin mars nga kryetari i Lëvizjes për Reforma – PDSH, njëherësh kryetar i komunës së Strugës, Zijadin Sela.

Shtyrja e sotme, siç njoftoi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Elena Gosheva është bërë me kërkesë të gjykatësit Sali Murati i cili nuk ishte i pranishëm për të dhënë sqarime rreth arsyes së propozimit të tij për shtyrje të kësaj pike.

Në muajin shkurt, komuna e Butelit miratoi vendimin që në hyrje të saj nga drejtimi i komunës së Çairit të vendos një kryq në përmasa prej 55 metrash.

Propozimi siç thanë atëherë nga komuna ka qenë i Kongresit Maqedonas.

Ky vendim rezultoi me protesta të organizuara nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me arsyetimin se një vendim i tillë do t’i prishë marrëdhëniet ndërfetare, me potencial të lartë për të krijuar konflikt permanent mes qytetarëve.

Protestat në disa momente ishin tejet të tensionuara dhe përfunduan me prishjen e bazamentit i cili ishte ndërtuar për vendosjen e kryqit.

Seanca e ardhshme e Gjykatës Kushtetuese është më 29 qershor.

Tensione në Shkup – përplasje e protesuesve me policinë

Protesta masive janë mbajtur në Shkup të hënën në mbrëmje në organizim të revolucionit shumëngjyrësh ndërsa në to kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e opozitës së bashkuar të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate. Protestat që kanë zgjatur deri pak para mesnatës janë përshkruar me tensione të shumta.

Policia ishte në shënjestër të protestuesve që hodhën gjësende të forta, në momentin kur ka ndaluar protestuesit të rrëzojnë një përmendore para Kuvendit të Maqedonisë. Protestuesit hodhën ngjyrë dhe thyen xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Drejtësisë dhe të disa objekteve tjera qeveritare.

Protestat kanë pasuar një ultimatum të shoqërisë civile, i cili ka skaduar të shtunën, drejtuar institucioneve për plotësimin e kërkesave të saj për krijimin e kushteve për prokurorinë speciale që të punojë pa pengesa në hetimin e zyrtarëve të dyshuar për vepra të rënda penale, për mos ndjekjen e aktivistëve të saj si dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira. Pas injorimit të këtyre kërkesave nga qeveria, protestuesit kanë dalë me kërkesa të reja.

“Qytetarët duhet të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës, jo që të vendosim, jo që të jetë pjesë e politikave, jo që të luftojmë për pushtet, por që të sigurohemi se në tavolinën e bisedimeve do të zhvillohen negociata transparente që çdo qytetar i Maqedonisë të dije se çfarë po ndodh prapa dyerve”, ka deklaruar Dejan Stojkovski, një nga drejtuesit e shoqërisë civile, e cila po proteston tani e dy muaj.

Ai tha se revolucioni shumëngjyrësh kërkon gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të vendos mbi nismën e ngritur për vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjit për prokurorinë speciale, që puna e saj të mos mbetet peng e kësaj nisme që mbahet nga pushteti si armë për shuarjen e prokurorisë në rast rreziku nga ndjekja e mëtejmë e zyrtarëve të saj.

Nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Sheqerinska tha se qeveria i ka ditët e numëruara. Përgjegjësia për krimet e bëra dhe zgjedhjet e lira tha Sheqerinska janë alternativa e vetme për dalje nga gjendja e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

“Kjo krizë ka vetëm një dalje, përmes drejtësisë, përgjegjësisë, ata që kanë vjedhur, ata që kanë mashtruar, duhet të përgjigjen. Kjo qeveri duhet të jap dorëheqje dhe të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike që qytetarët të vendosin se kujt i japin besimin për të qeverisur me vendin. Zgjidhje tjetër nuk ka”,ka deklaruar Shekeqinska.

Por, nga ana tjetër janë mbajtur edhe kundër protesta të organizuara nga mbështetësit e qeverisë. Ata kanë protestuar para gjykatës penale, e cila kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak për një kryetar komune që po hetohet nga prokuroria speciale.

“Kësaj radhe në ndërtesën e gjykatës do të hyjnë vetëm disa njerëz për t’i dorëzuar një deklaratë, por ata duhet ta kenë të qartë se herën tjetër do të hyjnë shumë më tepër njerëz dhe atëherë duhet të japin llogari se pse punojnë nën presion dhe pse tolerojnë që në punën e tyre të përzihen njerëz të dëshmuar me vepra të ndryshme kriminale”, ka deklaruar Alekandar Pandov nga Shoqata për Mbrojtjen e Maqedonisë.

Protesta dhe kundër protesta po mbahen një kohë të gjatë dhe në disa raste policia evituar përplasjen mes dy grupeve. Kriza politike në Maqedoni duket pa zgjidhje përkundër presioneve të fuqishme nga jashtë. Apeleve të shumta për ulje në bisedime partitë i janë përgjigjur javën e kaluar, por pa ndonjë marrëveshje konkretet.

Pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe para se gjithash puna e prokurorisë speciale, janë disa nga pikat për të cilat partitë politike nuk po mund të merren vesh.


Send this to a friend