Kryeministri Zoran Zaev u bëri apel gjithë universiteteve në Republikën e Maqedonisë që të propozojnë ndonjë kandidat të cilin ata mendojnë se është më i miri për kryeprokuror të shtetit, edhe Universiteti Ndërkombëtar i Strugës ka marrë vendim duke propozozuar një kandidat për kryeprokuror. Senati i këtij Universiteti mbështetje të plotë i ka dhënë kandidaturës së Prof. Dr. Sejfulla Osmani duke e konsideruar si personin më adekuat për të kryer këtë funksion. Senati i UNS shumë shpejt këtë propozim do ta adresojë deri te Qeveria e Maqedonisë. Sa i përket postit të kryeprokurorit, ndryshe nga herët e tjera, këtë herë kryeministri Zoran Zaev u dha hapësirë edhe Universiteteve që të propozojnë kandidatë në vendin e Marko Zvrlevskit, shkarkimi i të cilit duhet të votohet më 3 korrik në Kuvend.
Por, kush është shqiptari Prof. Dr. Sejfulla Osmani i propozuar nga Universiteti Ndërkombëtar i Strugë.
Prof. Dr. Sejfulla Osmani është i lindur më 14.08.1976 në fshatin Gradec të Gostivarit. Në Gostivar ka kryer shkollën fillore dhe të mesme ndërsa arsimin e lartë e kreu në Fakultetin Juridik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në vitin 1999. Në vitin 2005 në Fakultetin “Justiniani i parë” pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” kreu edhe magjistraturën. Osmani ka një bagazh të mirë të punës ku gjatë viteve 2006-2008 ishte i punësuar në bordin drejtues në Klinikën për sëmundje të syve në Shkup. Në vitin 2008 u zgjodh si gjykatës në Gjykatën Themelore në Gostivar dhe u caktua të punojë si Gjykatës Hetues.
Nga viti 2010 filloi të punojë si Avokat në zyrën e tij personale e cila tani njihet si Shoqata e Avokatëve “Asani dhe Osmani” Tetovë. Më pas në fund të vitit 2010 u angazhua si ligjërues në lëndët e materieve penale pranë Universitetit Ndërkombëtar të Strugës. Në vitin 2013 u zgjodh si dekan në Fakultetin e Shkencave Juridike pranë UNS-së, ku ende ndodhet në atë pozicion.