VOAL

VOAL

Njësitë elite ushtarake të Maqedonisë akoma pa shqiptarë

Edhe pas 25 viteve të themelimit të ARM-së përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në njësitet speciale të ARM-së mbetet tejet vogël.

Edhe zëvendës ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti pranon se ky numër vërtet është i vogël dhe zotohet se do të punohet për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike. Megjithatë sipas tij faji nuk qëndron vetëm tek përfaqësuesit politik, por edhe interesimi tejet i dobët i të rinjve për tu përfshi në këto njësite.

“Nëse mund të themi për përqindjen në njësit elitare unë mund të them se është punuar në këtë drejtim, në përmirësim të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve, është fakt që kemi hasur në sfida, në probleme të shumta në këtë drejtim, problemi i parë ndoshta do të ishte se kemi patur shumë pak prurje të ushtarëve të cilët do të ishin paraqitur që të kryejnë një kurs të selektimit, tani pjesa tjetër është, edhe mund të themi që i takon establishmentit që të përkujdeset që përfaqësimi i shqiptarëve gjegjësisht i etniteteve të jetë në nivel të duhur edhe në njësitet elitare.”- deklaroi Bekim Maksuti, zëvendës ministër i Mborjtjes.

Zv/ ministri Maksuti thekson se përfaqësimi i shqiptarëve dhe avancimi i tyre në Ministrinë e Mbrojtjes është i kënaqshëm, megjithatë pranon një pasqyrë e tillë nuk reflektohet në njësitet speciale të ARM-së.

“Sa i takon ingerencave të ministrisë gjegjësisht të Ministrit apo edhe të Zëvendësministrit dhe gjithë ministrisë së mbrojtjes un mund t’ju siguroj se i gjithë personeli shqiptar cvili  ka plotësuar kushtet është I avancuar, numri është I mjaftueshëm në këtë drejtim, për sa I takon avancimeve në ministrin e mbrojtjes mirëpo ndoshta nuk mund të themi një gjë të tillë edhe për në Armat për shkak të asaj se ligji e rregullon që avancimet në armatë deri në gradën Kolonel I kryen Gjeneral Shtabi, neve kemi pasur disa konsultime na është thënë që do të ketë avancime për 8 shtatorin, për 11 tetorin dhe për vitin e ri me të vetmin qëllim që ti ndajnë dhe mos të grumbullohen të gjitha avancimet në këtë drejtim.”- shtoi Bekim Maksuti, zëvendës ministër i Mborjtjes.

Ndryshe në Ministrinë e Mbrojtjes shqiptarët përfaqësohen me rreth 14%, në ARM me rreth 20%. Megjithatë në batalionin e njësitit special “Ujqit” shqiptarët mbeten edhe më tej të papërfaqësuar, 0% , derisa tek “Renxherët” vetëm 0.3% shqiptarë. E vetmja mbetet policia ushtarake ku shqiptarët përfaqësohen me 10 për qind..Alsat-M

Më 15 gusht 2012 u nda nga jeta Arbën Xhaferi, udhëheqës i shqiptarëve të Maqedonisë

Arbën Xhaferi u lind më 24 janar 1948 në Tetovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje, kurse studimet në degën e filozofisë i kreu në Universitetin e Beogradit.

Qysh si student u dënua me burg për bindjet e tij politike, organizimin dhe pjesëmarrjen në demonstratat e Tetovës të vitit 1968, për çka u detyrua të kërkojë strehim më të sigurt dhe punë në Prishtinë.

Nga viti 1975 deri në vitin 1990 punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës si redaktor përgjegjës i programit të kulturës. Gjatë kësaj periudhe punoi si analist në të përjavshmet “Koha” të Veton Surroit dhe “Forum” të Adem Demaçi, si dhe në disa media të tjera shqiptare dhe të huaja.

Në vitin 1993, Arbën Xhaferi u kthye në vendlindje, për ta vazhduar veprimtarinë e tij intelektuale dhe politike. Në vitin 1994 u zgjodh kryetar i Partisë për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH).

Gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001, Arbën Xhaferi dha një kontribut të veçantë, sidomos për nënshkrimin e Marrëveshjes së Prizrenit dhe arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Qasja konstruktive e Xhaferit në atë kohë u përkrah nga faktori ndërkombëtar, duke e legjitimuar luftën e shqiptarëve dhe nisur kështu bisedimet që përfunduan me Marrëveshjen e Ohrit, për ndërrimin e konceptit monocentrik të shtetit.

Pas drejtimit të sukseshëm të Partisë Demokratike Shqiptare për gati një dekadë, në zgjedhjet e parlamentare të 15 shtatorit të vitit 2002 Xhaferi kaloi në opozitë, por postin e kryetarit të partisë (PDSH) e mbajti deri në vitin 2007.

Ai u dallua si politikan i zgjuar dhe intelektual i përmasave kombëtare, i cili la pas vetes një numër të konsiderueshëm shkrimesh publicistike, analiza dhe vështrime politike, intervista, artikuj dhe studime të tjera, të cilat shquhen për thellësinë e mendimit dhe qasjen intelektuale.

Mes tjerash, Arbën Xhaferi dha një kontribut të çmuar edhe për Universitetin e Tetovës dhe afirmimin e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e drejtuesve të këtij universiteti, me nënshkrimin e aktit për fillimin e punës së tij, më 17 dhjetor 1994, si dhe pjesëmarrjen në delegacionet e përfaqësuesve të partive politike, asociacioneve jopolitike dhe drejtuesve të Universitetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shkurt të vitit 1995 dhe qershor të vitit 1996, me çka u sigurua përkrahje e gjerë nga SHBA, OKB dhe institucionet tjera relevante ndërkombëtare.

Arbën Xhaferi ka publikuar dy vepra, “PDSH-ja jo në letër”, dhe “Sfidat e Demokracisë në Shtetet Multietnike”.

Arbën Xhaferi ndërroi jetë në Tetovë, më 15 gusht 2012.

* * *Përshkrimi i fotografive nga angazhimi i Arbën Xhaferit për përkrahjen dhe afirmimin e Universitetit të Tetovës:

1. Delegacioni i përfaqësuesve shqiptarë në Nju Jork, qershor 1996: Arbën Xhaferi (PPDSH), Iljaz Halimi (PDP), Myqereme Rusi (LGSH), Shirley Cloyes DioGuardi (LQSHA) dhe veprimtarë të tjerë shqiptarë në SHBA.

2. Ushtruesi i detyrës Rektor i UT-së, Prof. dr. Agni Dika, Arbën Xhaferi (PPDSH) dhe Faik Lita, veprimtar shqiptar në SHBA.

3. Arbën Xhaferi dhe Arben Rusi (në radhën e parë), Prof. dr. Fadil Sulejmani dhe Prof. dr. Agni Dika (në radhën e dytë) dhe pjesëmarrës të tjerë, me rastin e nënshkrimit të aktit për fillimin e punës së UT-së, më 15 dhjetor 1994, në Tetovë.4. Portret i Arbën Xhaferit në kohën kur ishte lider i PDSH-së./Abdulla Memeti/

Më 12 gusht 2001 në mëngjes ndodhi masakra e Lubotenit

Dymbëdhjetë gushti çdoherë për lubotenasit e Shkupit përkujtohet si një ditë e dhembshme, sepse u përkujton masakrën e vitit 2001, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civilë shqiptarë.

Atë mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku u vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili, njofton Portalb.mk.

Po ashtu u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hages me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg. Lirimi i parakohshëm i Tarçullovskit, ardhja e tij me aeroplan të Qeverisë, pritja e tij si hero, u vlerësua si vrasje e dyfishtë për familjarët e 10 lubotenasve të vrarë.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, më 15 tetor

Zgjedhjet lokale në Maqedoni do të mbahen më 15 tetor. Kryetari i Kuvendit , Talat Xhaferi, ka dekretuar të dielën datën për mbajtjen e tyre, ashtu siç janë marrë vesh partitë politike pas skadimit të afatit për mbajtjen e tyre në muajin mars.

“Në përputhje me obligimet ligjor si kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor i shpall zgjedhjet lokale, të cilat sipas dispozitave ligjore, do të mbahen më 15 tetor 2017”, ka deklaruar Xhaferi.

Ai u ka bërë thirrje partive politike t’i respektojnë procedurat ligjore për të siguruar proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.

“Apeloj te të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, në periudhën para ditës së zgjedhjeve dhe në ditën e zgjedhjeve, të sillen në përputhje me Kushtetutën dhe dispozitat ligjore, ndërsa institucionet kompetente të sigurojnë që i gjithë procesi zgjedhor dhe vetë dita e zgjedhjeve të rrjedhë në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike, ashtu siç meritojnë qytetarët e nderuar të Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar Xhaferi.

Fushata zgjedhore fillon njëzet ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve dhe gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Maqedonisë do të punojë, por nuk do të mbajë seanca plenare. Kjo, siç tha kryeparlamentari, bëhet me qëllim që deputetët të kenë mundësi t’i përkushtohen fushatës zgjedhore dhe në të njëjtën kohë të mos krijohet hapësirë që seancat plenare të shndërrohen në fushatë zgjedhore.

Zgjedhjet lokale të 15 tetorit shihen si test në veçanti për partitë politike, në veçanti për LSDM-në dhe VMRO-në, të cilat në zgjedhjet parlamentare kishin thuajse rezultat të barabartë në mandate.

Zgjedhjet do të jenë me interes edhe te partitë shqiptare pas daljes në skenë të partive të reja, të cilat përgjysmuan numrin e mandateve të Bashkimit Demokratik për Integrim. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 82 komuna dhe në Shkup, si njësi e veçantë e pushtetit lokal.

Kadriu: Ky ligj nuk garanton barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase

Në një intervistë për portalb.mk, eksperti i drejtësisë Osman Kadriu, u shpreh se Ligji i ri për gjuhët nuk ofron barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe asaj maqedonase por është vetëm një avancim në mundësitë për përdorimin e gjuhës shqipe në përgjithësi.

“Ky ligj nuk është i kënaqshëm, unë kam qenë i konsultuar për draftet atëherë kur u përgatit ligji, ata premtojnë se arrihet shumë më tepër se sa duhet të arrihet, por unë gjithmonë kam qenë këmbëngulës që subjektet politike shqiptare sidomos këta që janë participantë në Qeveri e në Parlament duhet ta njoftojnë popullin në formë burimore, populli ka të drejtë të dijë se çfarë premton dhe çfarë garanton ligji, nuk premton dygjuhësi, nuk garanton barazi të plotë mes gjuhës shqipe dhe gjuhës maqedonase dhe nuk garanton gjuhë zyrtare në nivel shtetëror, vetëm kemi avancim në institucione konkrete dhe në një nivel të kufizuar”, thekson Kadriu.

Miratimi i përshpejtuar në Qeveri i Propozim Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni së bashku me parimet ligjore të parapara në planin 3-6-9 që Kryeministri Zaev ka paraqitur ne Bruksel, konsiderohen si parakushte të rëndësishëme për rrugën euro-atlantike të Maqedonisë.Express

Maqedonia, afër zyrtarizimit të gjuhës shqipe

Shkup (Foto nga arkivi)

Qeveria e Maqedonisë i ka dhënë dritën e gjelbër propozimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili do të dërgohet në Parlamentin e Maqedonisë për t’u miratuar.

Ligji për gjuhët ishte pjesë e marrëveshjes ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar, Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Aleancës për Shqiptarët.

“Me këtë ligj do të zgjerohet përdorimi zyrtar i gjuhës, të cilën e flasin së paku 20 për qind e popullatës, që do të thotë se me institucionet, qytetarët do të mund të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ai theksoi se ligji tashmë është dërguar në Parlament dhe pasi të miratohet në institucionin ligjvënës, Qeveria do ta dërgojë dhe në Komisionin e Venedikut.

Zaev deklaroi se ligji është në përputhje me Kushtetutën e Maqedonisë.

Ndërsa, zëvendëskryeministri për sistem politik, Hazbi Lika, tha se ligji i gjuhëve përmbush nevojat e të gjitha komuniteteve, pa e cenuar askënd, dhe shtoi se Qeveria e Maqedonisë me këtë ligj tregon se ka forcë për t’i shtyrë para proceset.

“Ky ligj tani kaloi në Qeveri dhe presim që Parlamenti i Republikës së Maqedonisë ta akceptojë këtë ligj. Presim që deputetët e Republikës së Maqedonisë të reflektojnë ndaj këtij ligji, sepse jemi përpjekur që në të gjitha aspektet t’i mbrojmë dokumentet kryesore të shtetit. Po ashtu, jemi përpjekur të gjejmë dhe mundësinë e realizimit të këtij ligji me qëllim që qytetarët e Republikës së Maqedonisë të mund t’i realizojnë nevojat e veta”, theksoi Lika

Në bazë të propozim-ligjit për përdorimin e gjuhëve në nenin një theksohet se “Në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik”.

Në ligjin e propozuar nga Qeveria, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është kualifikuar me formulimin “gjuhën, të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”, duke e futur në kllapa fjalën gjuha shqipe.

“Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20 për qind e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj, në pajtim me këtë ligj”, theksohet në draft-ligjin e bërë publik për mediet.

Ndërkaq, Zeqiria Ibrahimi, zyrta i lartë i Lëvizjes Besa, e cila parti është në opozitë, për Radion Evropa e Lirë tha se për ligjin që rregullon përdorimin e gjuhëve, nuk është konsultuar partia që përfaqëson, megjithëse se a do të marrë mbështetje ligji në fjalë nga pesë deputetët e kësaj partie, do të vendoset pasi ta kenë marrë dhe zyrtarisht tekstin e këtij ligji.

Sipas informacioneve tona, shumica qeveritare vetëm e ka plotësuar ligjin për përdorimin e gjuhës që e flasin komunitetet jo shumicë. Pra, nuk do të kemi ligj të veçantë që e rregullon përdorimin e gjuhës shqipe. Ndërkaq, ne mendojmë se duhet të miratohet një ligj i veçantë vetëm për gjuhën shqipe, i cili nuk e ka për detyrë vetëm një avancim, qoftë të madh ose të vogël, por që synon ta rregullojë përdorimin e gjuhës shqipe sipas shembullit të maqedonishtes. Gjithsesi, nuk po paragjykojmë. Kur të na vijë propozimi, do ta shohim dhe do të vendosim se cili do të jetë vendimi ynë”, tha Ibrahimi.

Mirëpo, VMRO DPMNE-ja e drejtuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, tha se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë dhe i njëjti nuk do të mbështetet nga kjo parti.

Ndryshe, në bazë të propozim-ligjit që ka marrë vizë nga qeveria e Maqedonisë, gjuha shqipe mund të përdoret “Në të gjitha organet të pushtetit qendror në Republikën e Maqedonisë, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, drejtoritë, komisionet, personat juridik të cilët kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera”, theksohet në draft ligjin e gjuhëve.

Për atë se a do të marrë shtrirje gjuha shqipe në bankënota dhe uniformat e pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë, do të do të kërkohet vlerësim nga Komisioni i Venedikut.

Partnerët e koalicionit qeverisës në bazë të ligjit që ka marrë vizë nga Qeveria, kanë arritur ujdi që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare.

Përderisa në uniformat e pjesëtarëve tëpolicisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.

Qeveria e Maqedonisë miraton tekstin e ligjit për gjuhët

SHKUP – Qeveria e Republikës së Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë vonë, ka miratuar tekstin e ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Në një kumtesë, Qeveria e Maqedonisë njofton se sot në orët e pasdites, kryeministri Zoran Zaev dhe zëvendës kryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, në një takim me gazetarë do të njoftojnë për detajet nga teksti i ligjit për përdorim të gjuhëve, i cili është pjesë e harmonizimit të programit kombëtar për miratim të së drejtës së Bashkimit Evropian. aa

Ja prapaskenat: Zaev pranon propozimin e Ramës për emrin e ri të Maqedonisë

Agjencia e lajmeve ruse, “Sputnik” në një shkrim të sajin botuar në formatin serbisht të portalit, shkruan ditën e sotme se në Samitin e Kartës së Adriatikut, mbajtur në Podgoricë është diskutuar edhe për emrin e ri të Maqedonisë, shkruan “Panorama”.

Kështu, sipas “Sputnik”, e cila citon burime konfidenciale brenda delegacionit të Zoran Zaev, kryeministri maqedonas ka pranuar emrin e ri për Maqedoninë, e cila do të jetë Maqedonia Veriore ose Maqedonia e Epërme.

“Sputnik” shkruan se propozimi për këtë emër ka ardhur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një takim me Zaevin në Samitin e Triestes, i ka sugjeruar këtë emër për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Po kështu, “Sputnik” shkruan se çështja e emrit është edhe kushti që Maqedonia të anëtarësohet në NATO.

Tashmë, pritet që Zaev ta hedhë në referendum emrin e ri të Maqedonisë, duke mbarë mbështetjen e SHBA-ve.

Emri i ri është diskutuar në një debat të gjërë me dyer të mbyllura, në prezencë të Mike Pence, zv/Presidentit amerikan.

Mashtrimi i madh i shqiptarëve të Maqedonisë ka ndodhur më 2 gusht 1944 kur u shpall republika popullore

Mbledhja e KAÇKM-së, e cila është mbajtur më 2 gusht të vitit 1944, dhe aty u vendos që Maqedonia të shpallet shtet federal në kuadër të federatës Jugosllave, ka diskriminuar tej mase popullin shqiptar dhe nacionalitet e tjera në vend.

Kështu vlerëson historiani Qerim Lita, i cili konstatimet e tij i bazon në dokumente të vjetra sot 73 vjet pas kësaj ngjarje historike.

Sipas Litës, në këtë mbledhje të thirrur nga anëtarë të Partisë Komuniste të Maqedonisë, në të cilën nuk ishin të përfaqësuar shqiptarët, u sollën disa vendime dhe një deklaratë që përbëhet prej 10 pikave. Në të nuk përmenden aspak shqiptarët. Sipas kësaj deklarate që posedon Lita në formën e dokumentit të vjetër, në njërën prej pikave të saj shqiptarët përmenden vetëm si pakicë, ku qëndron: “Pakicave nacionale të Maqedonisë u sigurohen të gjitha të drejtat nacionale”. Po ashtu, shqiptarët ishin të përjashtuar edhe në zgjedhjen e organeve të para.

“Kjo ishte një mbledhje thjeshtë ku krijuan shtetin e Maqedonisë ku në këtë Maqedoni iu morën të drejtat kombësive tjera, përfshirë këtu shqiptarëve, turqëve, vllehëve. Por, më së shumti humbën shqiptarët. Për arsye se menjëherë pas KAÇKM-së bën marrëveshje partia komuniste e Jugosllavisë me partinë komuniste të Shqipërisë për dërgimin e brigadave në këto vise sepse pjesa perëndimore e Maqedonisë në atë kohë ishte e bashkuar me Shqipërinë dhe nën kontroll, nën administrimin e Shqipërisë”, ka deklaruar për TV Shenja, Qerim Lita, Historian.

Ai thotë se KAÇKM ka dëmtuar jashtëzakonisht çështjen shqiptare, duke i diskriminuar ata në të gjitha fushat.

“Në vijëmësi shqiptarët nga KAÇKM-ja deri në vitin 1966 ishin të diskriminuar. shqiptarët kishin vetëm një shkollë normale, fillimisht në Tetovë pastaj u vendos në Shkup “Zef Lush Marku”. Nga gjithë territori i Maqedonisë aty regjistroheshin maksimum 60 nxënës. Kishin gjysmë gjimnazi në Tetovë dhe tërë suksesi që u thirrte ish pushteti ishte hapja e shkollave fillore shqipe, edhe atë gjysmake, shkolla 4 vjeçare”, ka shtuar Lita.

Lita më tej shton se pas kësaj mbledhje, në Maqedoninë Perëndimore, e cila në atë kohë administrohej nga Shqipëria, u sollën brigadat komuniste shqiptare. Ajo çka ndodhi pas brigadave jugosllavo-shqiptare, sipas tij, ishte një tmerr i paparë deri në ato momente për shqiptarët, pasi vijuan burgosje dhe vrasje masive të shqiptarëve me urdhër të shtabit të përgjithshëm të frontit nacional shqiptar të Maqedonisë.

“Duhet theksuar se në këtë periudhë shqiptarët u shpallën armiq të ideologjisë komuniste dhe me qenë se këtu ideologjia komunise ishte shumë pak, për të mos thënë fare e shprehur, kishin disa komunist që morën edhe funksione një periudhe. Por të gjithë këta, përveç vrasjeve dhe burgosjeve masive për shqiptarët, edhe komunistët pësuan”, ka thënë Lita.

Në mesin e figurave që kishin pozicione të larta dhe të cilët ndiqeshin nga pushteti, Lita përmend Nexhat Agollin, i cili u burgos dhe u vra, Hamdi Demën, i cili po ashtu u burgos në Prilep dhe u vra, Sali Lisi, u burgos me 20 vite burg dhe të tjerë.

BIA serbe përgatit skenarin për trazira me Maqedoninë

Televizioni serb B92 ka publikuar një shkrim duke iu referuar gazetës serbe Veçernie Novosti, sipas së cilit një raport i shërbimit sekret serb ka ngritur alarmin se shqiptarët po nxisin një konflikt ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Sipas artikullit,” në këtë skenar janë përfshirë shqiptarët por edhe një pjesë e autoriteteve të Maqedonisë”.

Duke cituar shërbimin sekret serb BIA, Vecernie Novosti thekson se “grupe të armatosura shqiptarësh janë infiltruar në zonën kufitare ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë”.

Duket shumë me spec ky shkrim që ka të gjithë formën e një artikulli dezinformues pasi nuk ka asnjë shenjë që në Maqedoni po përgatitet një trazirë.

Shkrime të ngjashme u botuan në mediat serbe edhe në vitin 2015 përpara ngjarjes tragjike të “Lagjes së Trimave” në Kumanovë.

B92, duke iu referuar Vecernie Novosti-t, gjithsesi thekson më tej se “shqiptarët kanë siguruar ifnormacione të ushtrisë dhe policisë serbe dhe me të cilat do të kryejnë veprime diversioniste”.

Sipas shkrimit në fjalë, “qëllimi i planit është që të krijohen kushte për protesta dhe kundërshti të Shkupit ndaj Beogradit pas veprimit në terren të këtyre grupeve militare, të cilat do të dhunojnë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, duke u intpretuar si një rebelim i armatosur”.

Po sipas planit që i referohet BIA-s serbe, “synimi është që “të akuzohet Beogradi për pretendime territoriale”.

Fakt është se kufiri që i referohet gazeta serbe që mund të ndodhin trazirat është praktikisht një kufi mes shqiptarësh. Kjo pasi vija kufitare e Maqedonisë dhe Serbisë ndahet pikërisht në Luginën e Preshevës, fakt ky që ngre një dyshim të madh që shërbimi serb apo bashkëpunëtori i tij më i madh që është inteligjenca ruse, e cila ka qendrën rajonale në Nish, po përgatit një skenar të tmerrshëm që të destabilizojë Ballkanin.

Dhe siç duket, synimi ruso-serb është që të vendosë një njollë të madhe në Preshevë, në mënyrë që nëse nis diskutimi për ndarjen e Kosovës, Presheva të mos hyjë në të, nëse në këtë zonë do të ketë trazira të armatosura.

Por shërbimi serb nuk ndalet këtu. Siç bën të ditur B92, pjesa e dytë e planit që publikon Veçernie Novosti konsiston në arrestime fiktime që autoritetet maqedonase do të nisin ndaj një rrjeti serb në Maqedoni. Këto arrestime do të jenë kundër ish-anëtarëve të forcave speciale dhe shërbimit sekret të kohës së Gruevskit, pra që drejtoheshin nga kushëriri i tij Mijallkov.

Pikërisht kjo pjesë e shkrimit, nxjerr në fakt edhe qëllimin real të gjithë të ashtuquajturit “plan” që publikohet në media nga shërbimi sekret serb.

Duket se bëhet fjalë për një “profilaksi” për të ndaluar arrestimet e ish-agjentëve të Mijallkovit që akuzohen në vendin e tyre për shkelje ligji dhe të të drejtave të njeriut.

Duket se shërbimi sekret i Beogradit frikësohet se nëse happen “petët e lakrorit”, atëhere zbulohet edhe bashkëpunimi i ngushtë i Gruevskit me Beogradin e Moskën për të destabilizuar jo vetëm Maqedoninë por edhe rajonin, vetëm e vetëm që shqiptarët të mos faktorizohen./tesheshi/

Asnjë gjurmë për dy ish-shefat e shërbimit sekret të regjimit të Gruevskit

Dy ish-shefat e shërbimit sekret të Maqedonisë Goran Grujevski dhe Nikola Boshkovski akoma gjenden në arrati. Policia nuk saktëson nëse janë akoma brenda shtetit ose jashtë tij.

Ish-funksionarët e DSK-së nuk janë askund tashmë 5 ditë. Ata i kërkon edhe Interpoli. MPB informon se kanë kontrolluar disa lokacione për të cilat kanë pasur informacione se kanë mundur të fshehen Gruevski dhe Boshkovski, si të akuzuar kryesorë nga PSP-ja në lidhje me hetimin se kush e ka porositur përgjimin masiv të paligjshëm në Maqedoni, shkruan Ina.

Video – Shqiptari rrihet e kërcënohet me vdekje nga pronarët maqedonas në sy të policëve

Një skandal ka ndodhur në komunën e Bervenicës së Tetovës, kur disa maqedonas kanë sulmuar shqiptarin në sy të policëve dhe madje edhe e kanë kërcënuar me vdekje, njofton TetovaSot.

 

Sipas lexuesit i cili edhe ka dërguar videon në redaksinë e portalit TetovaSot, sot në mesditë ka ndodhur një ndeshje në Bërvenicë, ku sipas tij është goditur dhe kërcënuar e fyer, shqiptari nga fshati Çellopek, identiteti i të cilit nuk bëhet i njohur.

Lexuesi, po ashtu thotë se maqedonasit që kanë sulmuar dhe fyer shqiptarin janë pronarë të një garazhi për centrimin e gomave të automjeteve, që sipas tij frekuentohet nga shumë shqiptarë të Pollogut.

Pronarin e automjetit nga fshati Çellopek, policia e ka nxjerrë të pafajshëm dhe kjo ka irrituar tejmase maqedonasit të cilët kanë sulmuar edhe para policëve.

https://www.facebook.com/sharer/sharer.php?u=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FTetovaaSot%2Fvideos%2F1676690889031035%2F&display=popup&ref=plugin&src=video

MË 27 KORRIK 1963 RA TËRMETI NË SHKUP – QYTETIN MË TË MADH SHQIPTAR TË KOHËS

Pasuan shpërngulje masive të shqiptarëve – për të mos u rikthyer më në qytetin e tyre

Më 27 korrik 1963 tërmeti i madh që goditi Shkupin, i cili shkaktoi rreth një mijë e 70 viktima, shkatërroi disa mijëra ndërtesa dhe shtëpi dhe si pasojë ndryshoi hartën demografike të qytetit.

Shumë vende u solidarizuan dhe ndihmuan për rindërtimin e qytetit. Autoritetet e ngritën qytetin e ri në anën e djathë të lumit Vardar, ndërkohë që historianë shqiptarë thonë se shqiptarët e Shkupit ishin ata që u dëmtuan më shumë nga tërmeti i vitit 1963, sepse kjo ngjarje tragjike bëri që mijëra prej tyre të shpërnguleshin për të mos u rikthyer më.

Gjykata refuzon të dërgojë në paraburgim Gruevskin

Një gjykatë në Shkup ka refuzuar të dërgojë në paraburgim ish-kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, dhe katër zyrtarë të tjerë, përpara nisjes së gjykimit të tyre mbi akuzat për mashtrim zgjedhor.

Gjykata e Apelit ka publikuar vendimin në ueb-faqen e saj.

Prokurori special i ka kërkuar gjykatës t’i dërgojë të pandehurit në paraburgim, duke thënë se ata mund të ikin nga Maqedonia ose të ndikojnë te dëshmitarët gjatë gjykimit.

Gjykata, më 3 korrik, vetëm se ka urdhëruar konfiskimin e pasaportës së Gruevskit dhe të katër zyrtarëve të tjerë të partisë së tij VMRO-DPMNE.

Gjykimi i tyre pritet të nisë në shtator ose tetor.

Zaev: po përgatitet ligji për gjuhët

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev bëri sot të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur projekt-ligjin për përdorimin e gjuhëve, që parasheh avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Zoti Zaev tha se askush nuk humbet me këtë ligj dhe gjithkush ka të drejtë ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

Një nga kushtet kryesore të partive shqiptare për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar ishte pikërisht përdorimi i gjerë ose zyrtarizimi i gjuhës shqipe në këtë vend.

 

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev konfirmoi të mërkuren se ligjii për gjuhët po përgatitet në Ministrinë e Drejtësisë dhe se qeveria pret ta miratojë atë para zgjedhjeve vendore në vjeshtë. Kështu është emëruar projekt-ligji për shkak të gjuhës shqipe, që në të vërtetë nuk figuron në kushtetutën e Maqedonisë si e tillë, por si gjuha të cilën e flasin të paktën njëzet përqind e popullatës së një komune apo në shkallë vendi.

Zoti Zaev tha se me miratimin e këtij ligji nuk humben votat as të qytetarëve maqedonas e as të atyre shqiptarë. Ai shtoi se gjithkush ka të drejtë për barazi në shoqëri dhe që ta ndiejë Maqedoninë si të veten.

“Nuk bëjmë kalkulime, nuk kemi paragjykime, ndryshimet e ligjit për përdorimin e gjuhëve do t’i bëjmë së shpejti”, theksoi kryeministri Zaev, duke shtuar se kjo çështje nuk i përket vetëm BDI-së, Lëvzjes “Besa”, apo partive të tjera shgqiptare, por edhe Lidhjes Social Demokrate dhe qytetarëve maqedonas.

Ai tha se kjo qeveri synon përmes vendimeve t’i mbyllë çështjet e hapura dhe jo t’i mbajë ato të fshehura. Kryeministri maqedonas bëri të ditur se projekt-ligji do t’i dërgohet Komisionit të Venecies dhe ekspertëve evropianë.

Nga ana tjetër, partia VMRO-DPMNE, mbështetësit e së cilës protestuan për më tepër se dy muaj kundër avancimit të gjuhës shqipe dhe asaj që ata dhe media maqedonase e njohin si platforma e partive shqiptare, apo edhe e Tiranës, së fundmi ka zbutur qëndrimet, duke thënë se partia nuk është kundër gjuhës shqipe dhe se dëshiron të ketë një qasje të re pozitive ndaj shqiptarëve.

Partitë shqiptare në Maqedoni duan që shqipja të ngritet në gjuhë të dytë zyrtare në vend.

BDI-ja, Lëvizja për Reforma, Partia Demokratike Shqiptare dhe Uniteti janë takuar sot me nismën e Rilindjes Demokratike Kombëtare, për të diskutuar mbi kërkesat shqiptare të përfshira në deklaratën e janarit të këtij viti. Takimin e ka bojkotuar Lëvizja “Besa”, drejtuesit e të cilës nuk duan të ulen në një tryezë me BDI-në rivale.

Zbulohet një varrezë masive në Zajaz të Kërçovës

Në rajonin e Zajazit është gjetur edhe një varrezë tjetër masive në vendin e quajtur ”te Xhamia”. Komisioni për zhvarrim është duke gjurmuar për të bërë identifikimin e mundshëm të tyre.

Sipas Tv Globi të Kërçovës, ashtu si edhe në rastin e parë, besohet se edhe këto varreza janë të periudhës së luftërave ballkanike dhe botërore dhe u takojnë shqiptarëve të këtij rajoni.

Komisioni për zhvarrim ka kërkuar nga familjarët e viktimave që para se të bëjnë rivarrimin e tyre, ta njoftojnë organin e Zyrës së Prokurorit për krime lufte me qëllim që të njihet opinioni ndërkombëtar rreth këtyre masakrave.

Njoftimet e fundit thonë se disa nga viktimat supozohet se i takojnë familjes Xhaka nga rajoni i Kërçovës./Gazeta Express/

Gjyla Çeliku shqiptare nga Maqedonia, merr presidencën për përfaqësimin e grave në Ballkan në asociacionin International Women’s Club

Gjyla Çeliku shqiptare nga Maqedonia, merr presidencën për përfaqësimin e grave në Ballkan në asociacionin International Women’s Club me seli në Indi në New Delhi dhe filiale në Çikago, Paris, Stokholm, Helsinki, Zhenevë, Toronto, Sydney dhe tash me filale edhe në Ballkan.

Gjyla Çeliku do të përfaqësojë Shkupin, Tiranën, Prishtinën, Beogradin, Sarajevën, Podgoricën.

 

“Vuajtëm nga 10 vite burg pa pikë faji”, rrëfehen të liruarit e Brodecit

Rasti Stuhia Malore, perfundoi. Vuajtën denimin 192 vjet, 17 të akuzuar, 13 të arrestuar, 4 në arreti. Ata sot përmbushën obligimin e tyre, pasi vuajtën dënimin.

Ata thonë se janë  të pafajshëm, ata duruan sakrificën, lodhjen, mallin për familje, rrahjet, maltretimet… që u bëheshin çdo ditë nga policia.

Shehir Ziberi i cili qëndroi 10 vjet në burg, thotë se këtë dënim e mori pa pikë faji. Sot ai është i liruar, por nuk është i lumtur. Ai thotë se jeta e tij është e thyer në gjysmë nga vuajtjet dhe keqtrajtimet që i përjetoi në qeli.

“Unë isha në shtëpi, as vetë nuk e di se çka ndodhi, vetëm kur hyrën policia më nxjerrën nga familja më shtrirën për toke edhe më arrestuan, plus  ma thyen krahun edhe pse thotë policia se nuk kishte maltretim. Të pafajshëm jemi edhe ende se di se për çka më arrestuan”, tha ai.

Të njëjtin fat e kishte edhe Nadi Dauti i cili për 10 vite qëndroi prapa grilave. Edhe ai thotë se është i pafajshëm. Pas tërë këtyre viteve, Nadiu kërkon që edhe sot drejtësia të dalë në shesh për rastin e Brodecit.

“40 vjet e tërë familja e vuajti dënimin. Unë, djali, vëllai dhe nipi. U mbyll dera e shtëpisë, për asnjë faj edhe pse jemi më të pastër se loti. Por një ditë drejtësia do të dale në dritë”, shprehet ai.

Gruaja e Nadiut, Elmazja rrëfen kohën derisa burri dhe i biri ishin në burg. Ajo thotë se gjatë këtyre viteve është detyruar të jetë edhe burrë edhe grua pasi shtëpia ishte pa zot shpie.

“Falë zotit që u kthyen në shtëpi, shëndoshë e mirë. Kur djali dhe burri hynë brenda shtëpisë u gëzova shumë, por nuk e kam paramenduar se do të kthehen. Vetë isha grua, vetë burra, me halle dhe derte për nipat dhe për këta në burg”, u shpreh ajo.

Lirinë nuk e gëzuan Hanifi  dhe Nevzadi. Që të dy ndërruan jetë në burg. Në rastin “Stuhia Malore”, që ndodhi më 7 nëntor të vitit 2007 në fshatin Brodec të malësisë së Sharrit, humbën jetën shtatë persona, ndërsa dhjetë të tjerë u dënuan me gjithsej 192 vite burg.

Zyrtare: LR-PDSH nis procesin e bashkimit me RDK-në dhe UNITETIN

Sot në Tetovë u mbajt Kuvendi i rregullt i LR-PDSH-së, ku u diskutua për situatën politike në vend, njofton kjo parti.

Një nga pikat e rendit të ditës ishte edhe kërkesa e kuvendarëve për unifikim e subjekteve politike LR-PDSH, RDK dhe Uniteti në një subjekt të vetëm politik të quajtur Aleanca për Shqiptarët.

Lidhur me këtë çështje, siç njoftojnë nga kjo parti, kuvendarët unanimisht vendosën që Kuvendi Qëndror i LR PDSH-së të obligojë Kryesinë Qëndrore të negociojë me partenerët e Koalicionit: RDK dhe Uniteti për unifikimin e subjekteve në një subjekt politik të quajtur: Aleanca për Shqiptarët.

Si pikë tjetër e Kuvendit Qëndror ishte edhe zgjedhja e dy nënkryetarëve të partisë edhe atë: prof. Elmi Aziri i caktuar për zonën zgjedhore nr 2, dhe prof. Remzi Mehmedi, nënkryetar qe do ta mbulojë zonën nr 5.

Dy kandidatët për nënkryetar të LR PDSH u zgjodhën më shumicë absolute votash nga Kuvendarët e Kuvendit Qëndror, njoftojnë nga kjo parti.

Zaev: Nga 1 shtatori paga më e ulët në Maqedoni 12 mijë denarë

Shkurtimi i këtyre mjeteve financiare arrin deri në 420 milionë denarë të cilat ishin të planifikuara për reklama, promovime, fushata qeveritare në vend dhe jashtë, tha Zaev

SHKUP – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në një konferencë për shtyp deklaroi se Qeveria në mbledhjen e sotme e miratoi ribalancin e buxhetit për vitin 2017 dhe të njëjtin do t’ia parashtrojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë,.

Kryeministri Zaev bëri të ditur se pret që për 12 ose 20 ditë të përfundojnë procedurat në Kuvend dhe ribalanci të sillet para festës së Ilindenit, e cila do të shënohet më datë 2 gusht. Ai theksoi se është paraparë shkurtim i shpenzimeve prej pothuajse 3 miliardë denarëve dhe të investimeve kapitale për po të njëjtën vlerë.

Siç tha kryeministri maqedonas, poashtu është paraparë që të realizohen të gjitha projektet tashmë të filluara infrastrukturore, si dhe të shtohet ndërtimi i disa shkollave të reja në Maqedoninë lindore dhe perëndimore.

Ai theksoi se shkurtimi më i madh është bërë në buxhetin e kryeministrit, diçka që sipas tij, nuk ka ndodhur në ribalancin e buxheteve të mëparshme. “Shkurtimi i këtyre mjeteve financiare arrin deri në 420 milionë denarë të cilat ishin të planifikuara për reklama, promovime, fushata qeveritare në vend dhe jashtë”, u shpreh ai.

Zaev theksoi se me këtë ribalanc të buxhetit dëshmohet se qeveria e re kujdeset për qytetarët e vet, për përmirësimin e jetesës së tyre, si dhe për mbështetjen ndaj ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

“Me ndryshimet dhe plotësimet e buxhetit për vitin 2017 janë siguruar mjete për subvencionimin e pagës minimale që e njëjta të arrijë në 12 mijë denarë, edhe atë duke filluar nga 1 shtatori. Me këtë masë parashikohet që të përfshihen rreth 70 mijë të punësuar bashkatdhetarë tanë”, deklaroi Zaev.

Zaev në vijim theksoi se shpenzimet joproduktive të buxhetit do të sigurojnë edhe mbështetje të turizmit vendas përmes subvencionimit të pushimit vjetor për të punësuarit me të ardhura të ulëta, kryesisht të punësuarit e industrisë së lëkurës dhe tekstilit. “Mbështetje e drejtpërdrejt e kapaciteteve turistike në Maqedoni dhe pushim vjetor për punëtorët me pagë më të ulët në vendin tonë”, u shpreh ai. aa

Media zvicerane: Dy tentimet e Gruevskit për të shkaktuar konflikt ndëretnik në Maqedoni

Ballkani është bërë përsëri pjesë e rëndësishme dhe gjeostrategjike me forcimin e aktorëve të huaj jo-europianë. BE përpiqet për stabilizimin e rajonit nga sundimtarët autoritarë – por kjo nuk është ide e mençur, shkruan fillimisht historiani Oliver Jens Schmitt për median zvicerane “NZZ​”.

BE vendosi për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit perëndimor në samitin e Selanikut të mbajtur në 2003. Viti 2014 ishte shumë i diskutuar. Njëqind vjet pas atentatit serb kundër pasardhësit të fronit austro-hungarez, që solli shpërthimin e LPB, rajoni duheshte përfundimisht të mbizotërohej nga paqja. Por kriza të ndryshme sollën kthesën e vëmendjes së BE nga ish shtetet jugosllave dhe Shqipërisë.

Ndërkohë një kurorë e vendeve të rajonit kanë bërë hapa para: Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të BE nga 2004 dhe 2013 respektivisht, Rumania dhe Bullgaria na 2007 dhe Greqia nga 1981. Elementi i dytë i rëndësishëm është perspektiva euro-atlantike e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në 2009 dhe Malit të Zi në 2017, përkundër kundërshtimit të ashpër rus. Por Rusia mund të tensionojë akoma rajonin.

Një shembull si Maqedonia

Pragmatizmi i BE është mbuluar nga një re dyshimi pas intervenimit intensic të diplomacisë europiane në Bosnjë dhe Kosovë dhe për të kthyer rajonin në një gjendje të zhvilluar ekonomike dhe politike. Nga kjo prapaskenë e zymtë mund të merret një shembull pozitiv. Maqedonia ka treguar se Ballkani nuk mund të udhëhiqet nga burra të fuqishëm nëse rritet demokracia.

Maqedonia me dy milion banorë dhe me një përzierje të madhe etnike, prej kohësh konsiderohej një shtet bazë për Ballkanin, jo për faktorin ekonomik ose peshës politikë, sesa për shkak të situatës strategjike. Pas shumë hezitimeve të partisë nacionalistë VMRO dhe mbështetjes ruse ndaj ish kryeministrit Nikola Gruevski, këta e dorëzuan pushtetin ndaj shumicës së re mes socialdemokratëve dhe partive shqiptare. Me këtë u soll ndryshimi i qeverisë përmes zgjedhjeve demokratike.
BE e mbështeti këtë iniciativë, por vendimtare ishte ndikimi i SHBA dhe Rusia mbeti duarbosh. Gruevski tentoi sëpaku dyherë të provokonte konflikte ndër-etnike, së fundi përmes mësymjes së parlamentit në fund të prillit 2017. Megjithatë qytetarët, maqedonas dhe shqiptarë, mbetën të qetë duke qëndruar në shtëpi dhe jasht urrejtjes. Në fakt ka forca tjera nacionalistë, por kjo nuk është dëshira e banorëve të Maqedonisë.

Plane lojërash për ndryshimin e kufijve
Zhvillimi i Maqedonisë nuk varet vetëm nga harmonia e brendshme ndëretnike, të cilën qeveria e re e përfaqëson më fuqishëm se ajo e mëparshmja; por mbi të gjitha nga shtetet fqinje dhe anëtare të BE si Greqia dhe Bullgaria. Greqia për shkak të vetos ndaj perspektivës euro-atlantike të Maqedonisë e lidhur me kontestin 25 vjeçar të emrit. Bullgaria në fakt njeh pavarësine e Maqedonisë, megjithatë shumë bullgarë shohin maqedonasit si pjesë e kombit të tyre bullgar.
Qeveria e Zaevit është përpjekur ti çtensionojë marrëdhëniet me vendet fqinje pas vizitave në Athinë dhe Sofie. Së fundi Greqia mund të kthehej në një aktor konstruktiv, ndërsa në anën tjetër BE duhet të mbështeste këtë ulje tensioni dhe shoqërinë civile maqedonase.  Kështu mund të evitohej edhe lojëra me ndryshimin e kufijve në Ballkan.
Maqedonia ka treguar se Ballkani nuk mund të udhëhiqet nga burra të fortë nëse rritet demokracia./Gazeta Express/

Manojlloski – Gjorçevit: Po ta shtrydh VMRO-në, dalin së paku 10 homoseksualë

Tani të marr ta shtrydh VMRO-DPMNE-në do të nxjerr 10 homoseksualë, pse të fshihen, pse të mos jeni ata që jeni?, e pyeti deputeti i BDI-së, Branko Manojllovski, deputetin e VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, në emisionin e sontëm “Top Tema” në TV Telma, në debatin për të drejtat e komunitetit LGBT.

Ndaj kësaj, Gjorçev nuk u përgjigj, ndërkaq më pas në pyetjen e udhëheqjes së emisionit se si do të veprojë VMRO-DPMNE nëse ndonjë nga radhët e tyre tregon qëndrim të ndryshëm nga ai i partisë, Gjorçev tha se në parti të tyre çdokush është i mirëseardhur./Gazeta Express/

VMRO formoi 10 grupe parlamentare, anulohet seanca për shkarkimin e kryeprokurorit

Pas formimit të 10 grupeve parlamentare të VMRO-DPMNE-së. Kuvendi sot nuk do ta vazhdojë seancën në të cilën si pikë e dytë e rendit të ditës është shkarkimi i kryeprokurorit publik Marko Zvërlevskit. Edhe pse ishte caktuar, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e anuloi seancën, njofton Portalb.mk.

Se kur Zvërlevski do të vijë në rend të ditës askush nuk mund ta parashikojë. Sepse VMRO-DPMNE-ja i ka ndarë deputetët në 10 grupe parlamentare që kanë fituar kohë dhe mundësi që t’i zgjatin diskutimet në Kuvend.

Sipas Rregullores, koordinatorët e grupit parlamentar kanë të drejtë për diskutim prej 15 minutave dhe të kërkojnë vërejtje procedurale 3 minuta.

Koordinator të grupeve parlamentare janë: Ilija Dimovski, Antonio Milloshovski, Zoran Iliovski, Vlladanka Aviroviq, Daniela Rangellova, Panço Minov, Dimitar Stefanaxhija, Dragan Danev, Bllagica Lasovska dhe Dragan Cuklev.

Nga VMRO janë paraqitur për zgjedhje të pikës së rendit të ditës ku duhet të diskutohet rreth dhënies së lejes të Avokatit të popullit, Ixhet Memeti me mundësi që vetë të punojë, i pavarur nga ligjet për administrim publik dhe shtetëror.

Nëse merret parasysh se çdo njëri nga deputetët e paraqitur ka të drejtë edhe të replikës dhe të vërejtjeve procedurale votimi për shkarkimin e Zvërlevskit mund të zgjatet dhe të bëhet gjatë javës së ardhshme.

Formimi i 10 grupeve parlamentare është bllokadë klasike në Kuvend, akuzojnë nga LSDM-ja. Koordinatori Tomisllav Tuntev në konferencë për shtyp tha se shumica parlamentare do t’i marrë parasysh të gjitha masat rregullore me qëllim që të ndërpritet sjellja e tillë dhe paralajmëroi ndryshim në rregullore.

Deri tani asnjë grup parlamentar nuk ka pasur numër kaq të madh të grupeve parlamentare. Në vitin 2006 LSDM-ja ka pasur 6 grupe parlamentare.

I burgosuri i Grupit të Kumanovës letër publike Ali Ahmetit, ja porosia!

Nasuf Beqiri (Kaçaki), që është njëri nga të akuzuarit e Grupit të Kumanovës ka shkruar një letër publike dërguar edhe në adresë të INA-s. Kjo letër i dedikohet edhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, ku kërkohet ndërhyrja e tij.

Ja letra e plotë:

Unë, Nasuf Beqiri (Kaçaki), i burgosur padrejtësisht nga një shtet artificial që i torturon të burgosurit dhe i vret të dorëzuarit në rastin Kumanova, ju kërkoj të punoni korrektësisht për respektimin e marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje që është kushti minimal për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë në IRJM.

Po jua bëj me dije se ne kemi hyrë në Kumanovë po me atë platformë që ju po thoni tash se është “Platforma e Tiranës”, se atë platformë e kemi shkruar në Kumanovë nën udhëheqjen e Mirsadit. Kjo kërkon përgjegjësi nga ju: mos u shitni aq lirë duke e devalvuar atë platformë për shkak të pranisë juaj në qeverinë e “Titos të vogël”, Zaevit! Qendroni besnikë kësaj platforme dhe, nëse Tito Zaev nuk respekton parimet e saj, dilni nga qeveria!

Pse po na quajnë neve “terrorista” se ne terror nuk kemi bërë. Është shteti sllavo-maqedonas terrorist sepse kishte ardhur të na vret në gjumë dhe i ka terrorizuar banorët e Kumanovës duke përdorur edhe armatim të rëndë kundër nesh! Ne kemi qenë pjesë e UÇK-së që e ka njohur bota si një ndër ushtritë më të mira në botë, ushtri që ka respektuar të gjitha rregullat e luftës; ndërkohë që maqedonasit nuk i kanë respektuar sepse kanë vrarë pas dorëzimit Mirsadin dhe Begun, duke shkelur kështu edhe Konventën e Gjenevës!

Kërkojmë nga Ali Ahmeti të zbardh këtë rast plotësisht e të mos na lejojë në burg pasi na kanë shfrytëzuar për interesa personale!

Ne jemi duke u gjykuar nga një gjykatë joneutrale dhe njëanshme dhe këtë gjykatë nuk e njohim! Kërkojmë ndihmë nga Evropa dhe SHBA, nga miqtë tanë më të mirë e më të fortë dhe kërkojmë gjyq ndërkombëtar. Për shkak të torturave të vazhdueshme që ky shtet maqedonas na kanë bërë, duke na rrahur në stacion të policisë, në makinat e transportit nga burgu në gjyq apo madje edhe brenda godinës së gjykatës, janë shkelur të gjutha ligjet e luftës sa i përket pengjeve dhe nuk na garantohet as jeta!

Ne fund ju themi se jo krejt UÇK është në burg, djemtë e UÇK janë kudo në trevat shqiptare dhe, nëse ju nuk jeni në gjendje të punoni për interesat e popullit shqiptar nën IRJM, ata do t’i sjellin, në fund, shumë të dëshiruarën LIRI!

NË MAQEDONI PAS VITIT 2001 BURGJET E SIGURISË SË LARTË JANË TË STËRMBUSHURA ME SHQIPTARË


Ata janë të dënuar me dhjetëra vite burg e deri në burgim të përjetshëm për vepra penale dhe terrorizëm

Dënimet e shqiptarëve mbeten drakonike, lidhur me rolin që kishin Gjykatat e Shkupit, posaçërisht te ata që konsiderohen si raste të montuara. Viktima të këtyre proceseve politike që vërshuan pas vitit 2001, menjëherë pas konfliktit futën nëpër burgje qindra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Opinioni i gjerë mirë i din dënimet për civilët e Brodecit, Sopotit, dënimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së për vënien e bombave në Kumanovë dhe hekurudhën që lidhet me Serbinë, dënimi me burgim të përjetshëm për dy qytetarë të fshatit Haraçinë, dënimi për ish-pjesëtarët e Rakovecit, dënimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së nga Tetova, Ibrahim Sulejmani, gazetarin kumanovar Agim Behluli i dënuar po ashtu për terrorizëm, por edhe shumë raste të tjera që kanë çuar në burg kryesisht ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë të Kumanovës, Agim Islami (27) nga fshati Rashçe të Shkupit, dhe Almir Drlanjin (31) nga Shkupi më 30 prill 2010 u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Ramadan Shaqiri, i akuzuari i katër për dhënien e ndihmës është akuzuar me gjashtë vite burg. Rexhail Qerimi, Agim Islami dhe Ramadan Shaqiri kanë qenë ish-pjestarët të UÇK-së, mirëpo ata në gjykatë kanë pohuar se asnjëherë nuk janë njohur, raporton agjencia e lajmeve INA.

Kësaj i shtohen edhe listat e MPB-së për aktivistë dhe personalitete politike nga diaspora, të cilët me vite nuk guxojnë të vijnë në Maqedoni, për shkak të fletëarresteve nga autoritetet e Shkupit.

Rastet me dënime të larta janë ato të Sopotit me rreth 200 vjet burg, Brodecit me 192 vjet burg, ish-pjesëtarët e Kumanovës e Shkupit për shpërthimet e vitit 2003 në Kumanovë dhe Likovë, të njohur dhe të udhëhequr nga ish-komandanti Avdil Jakupi-Çakalla si dhe rasti i fundit ‘Monstra’, ku 6 të rinjë shqiptar u dënuan me burg të përjetshëm.

Shumica e të dënuarve që po dergjen nëpër burgjet e vendit janë kryesisht ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Përveç vuajtjes së tyre nëpër burgje, familjet e tyre po pësojnë rëndë duke mos qenë të ndihmuar dhe duke u lënë në harresë. Shumica e pjesëtarëve të familjeve kanë ndërruar jetë, për shkak të dhimbjes së tyre për fëmijët e tyre.

Ekspertët e drejtësisë, shprehen kundër këtyre dënimeve kaq të mëdha, dhe e udhës sipas tyre, është, “që të kërkohet rishqyrtimi i lëndës te shumica e rasteve”.

Revolta e familjeve dita ditës po shtohet dhe se janë paralajmëruar masa radikale në kërkim të përsëritjes së rasteve që kanë të bëjnë pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001, ku janë të dënuar shumica e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Dëshmia e forcave speciale: Ja çfarë ndodhi më 27 prill në Kuvendin e Maqedonisë

SHKUP– Komandantët e njësive speciale policore kanë pritur me orë të tëra që të angazhohen për të qetësuar situatën në Kuvendin e Maqedonisë natën e 27 prillit të dhunshëm.

Por askush nuk u ka dhënë urdhër policëve që të reagojnë. Dhe kjo është thënë në dëshmitë e komandantëve në prokurori, ku po kryhen hetimet për këtë natë, ku u sulmuan fizikisht gazetarët dhe deputetët e shumicës parlamentare.

Dëshmi kanë dhënë komandanti i Njësisë së posaçme për mbështetje (NJPM), Branko Trajanovski, si edhe Marjan Petkovski, komandant i Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH).

Asnjëri nuk ka marrë në kohë të duhur urdhër për të intervenuar në qetësimin e situatës në Kuvend, njofton “Tv Telma”.

Prokuroria nuk saktëson se kur do të përfundojë procedura parahetimore, ndërkaq pritet që dëshmi të japë edhe vetë ish-ministri i MPB-së, Agim Nuhiu.

Rasti “Sopoti” më në fund në duart e PSP-së

Prokuroria Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ia dorëzoi lëndën “Sopoti” Prokurorisë Publike për përndjekjen e veprave penale të cilat lidhen dhe të cilat dalin nga përmbajtja e përndjekjes joligjore të komunikimeve (PSP).

Siç kumtoi sot Prokuroria publike, për dorëzimin e lëndës penale të njohur në opinion si “Sopoti”, kanë kërkuar prej Këshillit të prokurorëve publik të Republikës së Maqedonisë të prononcohet nëse kërkesa është veprim ligjor i prokurorit publik i cili e udhëheq këtë prokurori.

“Duke e pasur parasysh atë që ngjarja penale-juridike ka ndodhur para vitit 2008, më saktë në vitin 2003, PPTH PKO vlerësonte se lënda e cila kërkohet nuk lidhet dhe nuk del prej përmbajtjes së paautorizuar të komunikimeve”, thuhet në kumtesën e PPRM.

Pas pranimit të njoftimit zyrtar prej Këshillit të Prokurorëve Publik të Republikës së Maqedonisë prej 4 korrikut 2017 në të cilën, siç theksohet, nuk ka sjellë vendim decid nëse duhet të dorëzohet lënda, por se duhet në mënyrë të pavarur të vendos nëse lëndën e theksuar do t’ia dorëzojë Prokurorisë Publike për përndjekjen e veprave penale të cilat lidhen dhe të cilat dalin prej përmbajtjes së ndjekjes joligjore të komunikimeve, PPTH PKO ka mbajtur Kolegjium të prokurorëve publik.

Është konstatuar se lënda e Prokurorisë Publike Themelore për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit i njohur në opinion si “Sopoti”, që është në fazën e procedurës gjyqësore të shkallës së parë para Gjykatës Themelore Shkup 1 – Shkup, me shkrimet e tij, të dorëzohet në Prokurorinë publike për përndjekjen e veprave penale të cilat lidhen dhe të cilat dalin nga përmbajtja e ndjekjes joligjore të komunikimeve që të prononcohet nëse ndaj tij do të vendos kompetencë./Gazeta Express/

Nëse Ligji për Gjuhën Shqipe shkon në “Venecia”, Sela del nga Qeveria e Maqedonisë

SHKUP– Nëse Ligji për avancimin e Gjuhës Shqipe shkon për shqyrtim dhe interpretim në Komisionin e Venecias, atëherë Aleanca për Shqiptarët, gjegjësisht LR-PDSH do të braktisë Qeverinë. Qeveria në kuadër të prioriteteve të saj përmes zv/kryeministrit Bujar Osmani, konfirmoi se ligji për Gjuhën Shqipe do të shkojë në komisionin e Venecias.

Zëvendëskryeministri për eurointegrime Bujar Osmani, bëri të ditur se pasi të përgatitet nga Qeveria, ligji do të dërgohet në Kuvend dhe në Komisionin e Venecias.

Nga LR-PDSH theksuan se qëndrimi i tyre është i qartë se Ligji për Gjuhën Shqipe duhet të kalojë para zgjedhjeve, në të kundërtën kanë qëndrimet e tyre të shprehura, informon INA.

Kryetari i LR-PDSH, Ziadin Sela disa ditë më parë ka lënë të kuptohet se, nëse brenda 100 ditëshit të qeverisjes nuk arrihet të votohet ligji i ri për gjuhën shqipe, nuk do të ketë më kompromise dhe se siç është bërë e ditur kjo parti nuk do të qëndrojë në koalicionin qeverisës.

“Pas 100 ditëshit të Qeverisë së re nëse nuk arrihet zgjidhje për gjuhën shqipe, nuk do të ketë kompromis. Sa i përket formimit të Qeverisë ne bëmë një kompromis, por pas 100 ditëshit s’ka më kompromis”, ka theksuar Sela gjatë gjatë një takimi me anëtarët nga dega në Gostivar.

Gjithashtu edhe Sekretari i përgjithshëm i LR-PDSH-së dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka thënë se “nuk kanë çfarë të bëjnë në qeveri nëse ligji për Gjuhën Shqipe nuk bëhet për 100 ditëshin e parë të Qeverisë së Maqedonisë”.

Sërish tërmete në Ohër, hapet kampi ushtarak për qytetarët

Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri

SHKUP – Katër tërmete ku më i fuqishmi ishte me 4.1 ballë sipas Rihterit janë regjistruar mbrëmë në rajonin e Ohrit.

Sot në mëngjes është ndier tërmeti më i fuqishëm prej katër tërmeteve në thellësi prej 1 kilometri.

Mbrëmë pas mesnate është regjistruar tërmeti me magnitudë prej 3 ballë të cilit i paraprinë dy dridhje me fuqi prej 3.2 dhe 3.1 ballë.

Nga mesi i muajit të kaluar deri më sot në rajonin e Ohrit janë regjistruar mbi 1.000 tërmete.

Më i fuqishmi ishte pardje me magnitudë prej 5 ballë sipas shkallës së Rihterit, që shkaktoi shqetësim tek banorët dhe turistët, ndërsa janë lajmëruar edhe dëme më të vogla.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes (MM) doli me një njoftim ku ofron kapacitetet e kampit ushtarak “Vasko Karangelski” në Shën Naum, Ohër, për vendosjen e qytetarëve të shqetësuar nga seria e tërmeteve që përfshinë qytetin dhe rrethinën.

“Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska në këtë mënyrë iu përgjigj thirrjeve të qytetarëve drejtuar asaj përmes rrjeteve sociale, që të hapen dyert e kampit ushtarak, meqë qytetarët do të ndiheshin më të sigurtë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

Dyert e kampit, theksojnë nga MM-ja, janë të hapura për qytetarët të cilët kanë dëme nga dridhjet e deritanishme dhe ndiejnë nevojë që të strehohen në kampin ushtarak derisa toka në Ohër të qetësohet. aa

Ohër: Prej 18 qershorit më se 1 mijë dridhje të tokës

Pamje e sizmografit për rajonin e Ohrit të datës 26 qershor

 

Në rajonin e Ohrit në Maqedoni prej 18 qershorit e deri sot, janë regjistruar më se 1 mijë tërmete.

Shumica e tyre ishte me intensitet të dobët, ndërsa më i fuqishmi ishte tërmeti i djeshëm në orën 13:18 me intensitet 5 shkallë. Kjo dridhje ka shkaktuar shqetësim të banorëve dhe turistëve në Ohër dhe është paraqitur edhe një dëm i vogël material.

Drejtori i Institutit për inxhinierinë e tërmetit dhe inxhinierinë sizmike, Mihail Garevski, konsideron se nuk duhet të pritet tërmet më i fuqishëm në rajonin e Ohrit, por megjithatë thekson se kjo nuk mund të parashikohet, raporton programi për Maqedoninë i Radios Evropa e Lirë.

Gjykata urdhëroi konfiskimin e pasaportës së Gruevskit

Një gjykatë në Maqedoni ka urdhëruar konfiskimin e pasaportës së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe katër zyrtarëve të tjerë të partisë së tij konservatore, WMRO-DPMNE, përfshirë dy ish-ministra të qeverisë së tij, lidhur me skandalin madhor të përgjimit.

Ky urdhër është shpallur dje, pasi Gruevski dhe ish-ministri i brendshëm dhe ai i transportit, përkatësisht Gordana Jankullovska dhe Mile Janakieski, ishin akuzuar të dyshuar se i kanë shkelur rregullat financiare të fushatës zgjedhore dhe për keqbërje të tjera, gjatë hetimit të Prokurorisë speciale për përgjimet ilegale.

Në këtë skandal, janë përgjuar ilegalisht bisedat telefonike të afro 20 mijë njerëzve.

Gruevski i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka fajësuar spiunët e jashtëm.

Skandali ka shkaktuar krizë politike dhe zgjedhje në dhjetor të vitit të kaluar, me ç’rast ka përfunduar sundimi 10 vjeçar i partisë WMRO-DPMNE të Gruevskit.

Më se 100 vetë janë akuzuar deri tash në kuadër të hetimeve për përgjim.

Ljubço Georgievski tregon se pse duhet festuar maqedonasit dhe bullgarët bashkë

Ljubço Georgievski në faqen e tij në Facebook ka shpjeguar pse nuk duhet kontestuar që disa festa të festuar së bashku me bullgarët.

Më poshtë e keni të plotë atë që ka shkruar Ljubço Georgievski në faqen e tij zyrtare në Facebook:

“Këto ditë është ngritur pluhur rreth marrëveshjes për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore midis Maqedonisë dhe Bugarisë. Nuk mund që të mos konstatoj se nëse nuk do të ishte politika “kolishevskiane” e VMRO-DPMNE-së nuk do të kishte gjysëm-vetoje nga ana e Bullgarisë dhe nuk do të kishte nevojë për një marrëveshje të tillë. Kështë që Zaev në mënyrë pragmatike po i debllokon proceset të cilat qeveria e mëpatshme i kishte bllokuar.

Dhe tani për përmbajtjen, përse nuk mund të kontestohet kjo marrëveshje për festimin e përbashkët të disa ngjarjeve. Do të fokusohem në Kryengritjen e Ilindenit.

– Organizata që e kishte përgatitur kryengritjen deri më 1902 është quajtur “Bullgaro-Maqedono- Adrianopojë (Edrene) komiteti revoluciuonar”. Sipas të njëjtë kushtetutë të cilën e kishin hartuar Goce Delçevi dhe Gjorçe Petrovi anëtar i saj mund të jetë vetëm një anëtar i “Ekzarkatit bullgar”, të gjitha “miletet”  tjera deri në vitin 1902 kanë qenë në definicion të përjashtuar.

– Gjuha kryesore e komunikimit me shkrim ka qenë gjuha letrare bullgare. Të gjitha dokumentet, letrat dhe çdo gjë e shkruar që ekziston nga organizata është e shkruar në të.

– Të gjithë udhëheqësit e lartë kanë qenë mësues të “Ekzarkatit bullgar”, Delçev, Gruev, Petrov Toshev … apo oficerë bullgarë siç ishte komandant i Kryengritjes së Ilindenit Boris Sarafov.

– Ndihma më e madhe financiare dhe ushtarake ka ardhur nga Bullgaria dhe të gjitha bazat për tërheqjen dhe fshehje ishin gjithashtu atje.

– Në vet emrin e organizatës kemi edhe një problem teknik. Adrianopojë (Edrene) është një territor në Detin e Zi, që jetojnë  turqit, pomakët dhe greke. Por bashkim është vetëm me  popullsinë bullgare e Adrianopojës (Edirne). Pra, nga pikëpamje teknike organizata është partnere me bullgarët. Goce Delçev siç ishte ai inspektor në çetat ushtarake në Maqedoni kështu ishte edhe tek çetat bullgare në Adrianopojë (Edirne). Kongresi i zonës së Edrenesë që nga viti 1902, kur ata i shprehën ambiciet separatiste, personalisht Dellçev ka qetësuar ambiciet e tyre.

-Përfundimisht kur është marrë vendimi për tu çuar në kryengritje. Bullgarët nga Edreneja i janë bindur në tërësi urdhërave për kryengritje në terminet kur ua kishin caktuar dhe nën të njëjtën komandë”., përfundon ish lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski.

Çfarë po ndodh në Maqedoni, forcat speciale rrethojnë Kuvendin

SHKUP– Forca të mëdha policore janë stacionuar sërish në Kuvendin e Maqedonisë, pas protestave që janë rikthyer nga përkrahës të VMRO-DPMNE.

Automjete të policisë dhe një prani e shtuar e njësiteve speciale, janë parë sot tek Kuvendi i Maqedonisë, njoftoi TV21. Sipas zyrtarëve, kjo ka të bëjë me rritjen e masave të sigurisë.

Sakaq, analistët në vend thonë se deputetët e ngarkuar me përgjegjësi penale, nuk duhet të mbrohen nga imuniteti.

Ekspertja e së drejtës penale Besa Arifi shprehet se imuniteti deputetin e mbron vetëm kur shpreh mendimin e tij në foltore, por jo edhe jashtë Kuvendit.

Ndërkohë analisti Ismet Ramadani thekson se Komisioni për çështje të Imunitetit pranë Kuvendit, deputetëve të cilët dyshohen nga Prokuroria Speciale mund t’ua heqë imunitetin dhe kështu i hap rrugën organeve të drejtësisë.

Familjarët e rastit “Monstra” të zhgënjyer nga Prokuroria Speciale

Të pandehurit në rastin “Monstra” dhe avokatët e tyre mbrojtës gjatë një seance publike në Gjykatën Supreme gjatë muajit maj

Familjarët e gjashtë shqiptarëve të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesë maqedonasve në Smillkovcë të Shkupit, i njohur ndryshe si rasti “Monstra”, thonë se janë të dëshpëruar nga Prokuroria Speciale, e cila në fund të afatit për paraqitjen e padive për shpërdorime të ndryshme, nuk nisi hetime edhe për këtë ngjarje që vazhdon të jetë aktuale në vend.

Nga këshilli i familjarëve të personave të dënuar, thonë se tani dy vjet e gjysmë i ka mbajtur shpresa se megjithatë ky institucion do të zbardhë të vërtetën se në këtë vrasje nuk kanë gisht të afërmit e tyre, por se bëhet fjalë për rast të montuar, për të cilët ka folur edhe kryeministri aktual, Zoran Zaev i cili edhe ka publikuar aferën e përgjimeve.

Zaev në disa rast kishte thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga materialet e siguruara e vërteta është ndryshe nga ajo që është paraqitur në opinion, duke aluduar se vrasësit e vërtetë të maqedonasve janë persona krejt të tjerë.

Definitivisht çdo gjë e ka humbur logjikën. Deri tani kemi mbajtur shpresën se Prokuroria Speciale sa më parë do të merret me rastet më të rënda, por kjo nuk ndodhi”, thotë Bedri Hajdari, kryetar i këshillit të familjeve të rastit “Monstra”.

Ne do të vazhdojmë betejën, kurdo qoftë, një ditë, qoftë pozitivisht apo negativisht do të marrim një përgjigje. Besojmë se Maqedonia nuk është fundi i botës, pasi ka edhe vende tjera ku ne do të kërkojmë drejtësinë”, thekson Bedri Hajdari.

Nga Prokuroria Speciale, të mërkurën thanë se për këtë rast nuk kanë nisur hetime, meqë institucionet tjera përkatëse nuk i janë përgjigjur thirrjeve të saj që ky rast të kalojë në kompetencë të Speciales. Por, nga Prokuroria Themelore e Shkupit kanë thënë se Prokuroria Speciale asnjëherë nuk ka paraqitur një kërkesë të tillë. Të njëjtën e kanë thënë edhe nga Këshilli i Prokurorëve të Maqedonisë.

Pakënaqësi ndaj punës së Prokurorisë Speciale kanë shprehur edhe ekspertët e çështjeve juridike. Ata dyshojnë që ky institucion ka vepruar në mënyrë selektive, jo vetëm për rastin “Monstra”, por edhe ndaj zyrtarëve të BDI-së, të cilat janë kursyer nga hetimet apo akuzat, përveç dy personave nga rreth 100 sa janë përballur me padi penale.

Për këtë, Naser Zyberi, jurist i njohur fajëson edhe LSDM-në e Zoran Zaevit.

LSDM-ja në fazën e publikimit të përgjimeve, për aq sa publikoi, nuk dha asnjë përgjim pikant në të cilën do të dukej implikimi i përfaqësuesve të BDI-së në shpërdorime të mundshme”, thotë Zyberi.

Elementi tjetër që krijon këtë përshtypje është fakti se BDI-ja vazhdon të jetë pjesë e pushtetit dhe te qytetarët ekziston bindja se ai që është në pushtet është vështirë të vihet para përgjegjësisë”, thekson ai.

Se Prokuroria Speciale më tepër ishte në funksion të partive të tanishme në pushtet, sipas tij, flet edhe fakti se Zaev, i ishte drejtuar Speciales me një letër ku fliste mbi pastërtinë e anëtarëve të propozuar të Qeverisë së tij.

Mendoj se ishte hap i gabuar edhe i kryeministrit, por edhe i Prokurorisë Speciale. Paraqitja e kërkesës nga Zaev dhe dhënia e shpejtë e përgjigjes nga Prokuroria ishte gabim, për arsye se vet nga Prokuroria Speciale thonë se vetëm 20 për qind e propozimeve deri më tani janë përpunuar dhe dëgjuar”.

“Nga këtu shtrohet pyetja se prej nga guximi i Prokurorisë që të jap përgjigje se asnjë nga anëtarët e Qeverisë nuk janë nën hetime, kur edhe 80 për qind e përgjimeve nuk janë dëgjuar dhe nuk e dimë se çfarë do të del nga to”, thotë Zyberi.

Prokuroria Speciale të mërkurën ngriti aktakuza ndaj 94 personaliteteve të ndryshme, në mesin e të cilëve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish- ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, ish- ministrat e transportit dhe kulturës, Mile Janakievski dhe Elizabeta Kançevska, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, dy zyrtarë të BDI-së si dhe dhjetëra ish-zyrtarë të tjerë. Të gjitha ata akuzohen për shpërdorim detyre, mashtrime zgjedhore, kurdisje tenderësh dhe vepra tjera penale të dënueshme sipas Kodit penal të Maqedonisë.

 

 

Me pasaportën e Maqedonisë në 108 shtete mund të udhëtohet pa viza

SHKUP – Sipas ranglistës vjetore të Passport Index, me pasaportën e Maqedonisë pa viza mund të udhëtohet në 108 vende, që e rangon vendin në pozitën e 40-të në botë.

Sipas kësaj liste, pasaporta më e vlerësuar është e Gjermanisë dhe Singaporit dhe me to mund të udhëtohet pa viza në 159 vende. Pas tyre vijojnë Suedia dhe Koreja e Jugut (158 vende). Në pozitën e tretë janë Danimarka, Finlanda, Italia, Franca, Spanja, Norvegjia, Britania e Madhe, Japonia, dhe SHBA-të (157), në pozitën e katërt janë Luksemburgu, Zvicra, Holanda, Belgjika, Austria dhe Portugalia (156).

Në vendin e pestë janë Malajzia, Irlanda dhe Kanadaja (155), në pozitën e gjashtë janë Greqia, Zelanda e Re dhe Australia (154), në vendin e shtatë janë Malta dhe Islanda (153), në vendin e tetë është Hungaria (151) , në vendin e nëntë janë Sllovenia, Sllovakia, Polonia, Lituania, Letonia (150) ndërsa në vendin e dhjetë është pasaporta e Estonisë (149).

Në fqinjësi dhe rajonin më të gjerë, dobi më të madhe nga posedimi i pasaportës kanë qytetarët e Greqisë (pozita e 6-të) të cilët mund të udhëtojnë pa viza në 154 shtete. Më pas vijon Sllovenia (pozita e 9-të), ndërsa pas saj më mirë të ranguara janë Bullgaria dhe Kroacia në pozitën e 14-të me pasaportat e të cilave mund të hyhet në 144 vende, e 37-ta është Serbia (112 vende), në pozitën e 43-të janë Turqia dhe Mali i Zi (105), e 47-ta është Bosnjë e Hercegovina (101) dhe e 48-ta është Shqipëria (96), ndërsa sipas rang listës, në pozitën e fundit në rajon është Kosova me pasaportën e së cilës mund të udhëtohet në 41 shtete.

Në fund të listës së Passport Index në të cilën janë ranguar 199 vende në botë, gjenden Afganistani, Pakistani dhe Iraku me pasaportat e së cilës mund të udhëtohet pa viza në vetëm rreth 20 shtete.

Arton Capital’s Passport Index është mjet interaktiv online që i mbledh, tregon dhe rangon pasaportat në botë.

Bëhet fjalë për rangim global të pasaportave, të azhuruar në momentin kur shpalosen ndryshimet e reja lidhur me vizat. aa

Partitë shqiptare në Maqedoni, takim për të shqyrtuar “Deklaratën e përbashkët”

Pas takimit tre orësh, kreu i BDI-së, Ahmeti theksoi se takimi i sotëm është vazhdimësi e konsultimeve të deritanishme mes partive parlamentare shqiptare në Maqedoni

SHKUP – Me iniciativë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në hotelin “Aleksandar Palace” në Shkup u takuan partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni për të shqyrtuar zbatimin e përcaktimeve programuese nga “Deklarata e përbashkët” e nënshkruar nga partitë politike shqiptare para formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë.

Pas takimit tre orësh, kreu i BDI-së, Ahmeti theksoi se takimi i sotëm është vazhdimësi e konsultimeve të deritanishme mes partive parlamentare shqiptare në Maqedoni.

“Vlerësuam punën e mirë që është bërë deri tani. Ne e bëmë një bilanc të të gjithë programeve zgjedhore të partive politike, me çka konstatuam se një pjesë e atyre e përcaktimeve tanimë janë përfshirë në programin e Qeverisë së Maqedonisë”, deklaroi Ahmeti, duke theksuar se takimi i sotëm është vazhdimësi takimeve të deritanishme të partive parlamentare shqiptare në Maqedoni.

Ahmeti shtoi se programet e partive politike shqiptare janë të ngjashme dhe shtoi se raportet fqinjësore janë një pikë e programeve të politike. Ai tha se takimet e ministrit të Jashtëm maqedonas në Greqi dhe takimi i delegacionit qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev në Bullgari, ishte iniciativë e tyre.

Lëvizja BESA, e cila nuk pranoi ftesën e kreut të BDI-së, më herët përmes një njoftimi propozuan që takimi të mbahet në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa si pikë e rendit të ditës të shqyrtohet raport nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët për atë se çfarë është përfshirë në programin qeveritar nga deklarata e përbashkët e partive shqiptare, si dhe me çfarë dinamike do të zbatohet e njëjta. Nga Lëvizja BESA poashtu propozojnë që në takim të diskutohet edhe për përgatitjen e një plani për Propozim-ligj për gjuhën shqipe dhe formimin e grupeve punuese për zbatimin e saj.

Ndërkohë, sot për herë të parë takimit i është bashkangjitur edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), e cila më herët deklaroi se Deklarata e përbashkët e nënshkruar nga partitë shqiptare është një “lojë politike”. Kjo parti politike, lideri i të së cilës mungoi në takim, kishte dërguar zëdhënësin Luan Tresi, i cili theksoi se PDSH do të mbështesë çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe çdo çështje që ka të bëjë me euro-integrimin e vendit.

“Partitë nënshkruese të platformës janë deklaruar se nëpërmjet kësaj do të avancojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Andaj, ne vendosëm që të marrim pjesë në këtë takim, që më saktësisht të informohemi deri ku është realizimi i tyre dhe cilat janë planet e tyre për të ardhmen”, deklaroi Tresi.

Kujtojmë se “Deklarata e përbashkët” mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Përmes kësaj deklarate të përbashkët, ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë u zotuan se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të. aa

Librat e muzikës në Maqedoni, mjerim dhe tallje me shqiptarët

Për vite të tëra në Maqedoni ka mbetur e pa zgjidhur çështja e teksteve shkollore të muzikës për nxënësit shqiptarë, si në nivelin e shkollave fillore ashtu edhe në arsimin e mesëm.

Në to jo vetëm që nuk ka fare materiale nga muzika dhe kultura shqiptare, sepse gjithçka është ekskluzivitet i maqedonasve, por janë të shoqëruar nga fillimi deri në fund me paradokse të ndryshme, me tekste këngësh të përkthyera tekstualisht dhe vijë melodike që nuk korrespondon aspak ato tekste, shkruan gazeta “Koha” e Shkupit.

E thënë me fjalët e mësimdhënësve, “problemi me librat e muzikës është për mos me i hapur fare ato libra, është mjerim”, sikurse shprehet Rufki Loku, arsimtar në Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” në Shkup.

Ushtrimet, tekstet e këngëve, tregon ai, të gjitha janë në gjuhën maqedonase dhe poshtë atyre teksteve qëndrojnë përkthimet në gjuhën shqipe. “Një tekst kënge, për shembull, thotë: Nëna shkon te uji, e kështu me radhë. Mirëpo nota muzikore nuk janë në harmoni me tekstin e këngës në gjuhën shqipe. Në maqedonisht korrespondojnë teksti me muzikën, por jo edhe kur teksti është në gjuhën shqipe.

Prandaj, ose duhet ta këndojmë këngën maqedonisht ose të mos e këndojmë fare”, shprehet ai. Mësimdhënësit shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe Loku, mes opsioneve për të kënduar këngën maqedonisht apo për të mos e kënduar fare normal që zgjedhin këtë të fundit.

“Në muzikë nuk është i lejuar përkthimi, në asnjë gjuhë të botës jo vetëm nga maqedonishtja në shqip, pasi nuk ka si të korrespondojë melodia, dhe ritmi i këndimit të një gjuhe me notat që janë kompozuar për tekstin e një gjuhe tjetër”. Pra, sikurse shpjegon arsimtari i SHF “Hasan “Prishtina”, janë çështje profesionale dhe estetike me të cilat nuk mund të bëhen improvizime. Prandaj, thotë se në vend të atyre këngëve, gjatë orës së muzikës shërbehen me këngë të tjera nga muzika dhe folklori shqiptar, me qëllim që edhe zhvillimi i orës së muzikës të ketë logjike dhe efekt te nxënësit. Sigurisht që kjo mënyrë e të mësuarit krijon vështirësi dhe konfuzitet te nxënësit. Mirëpo, jo për fajin tonë, por për faj të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), e cila nuk di se për çfarë arsye nuk e zgjidh problemin librave të muzikës, thotë i revoltuar arsimtar Loku.

Ai, kujton se arsimtarët e lëndës, por edhe Lidhja e Pedagogëve të Muzikës ka sensibilizuar vazhdimisht këtë problem.

“Për fat të keq, nuk është dhënë asnjë zgjidhje nga MASH. Librat janë këto që janë, skandaloz dhe pa kurrfarë  përmbajtje. Kjo është tallje me nxënësit shqiptarë, me mësimdhënësit dhe të gjithë neve”, shprehet ai. Probleme të ngjashme ka edhe në librat e artit figurativ. Për librat e historisë, gjeografisë, shoqërinë as mos të flasim, ofendohen shqiptarët, në secilin rast që u jepet për një gjë të tillë.
Mirëpo, edhe për tekste e matematikës, arsimtarët kanë shumë vërejtje, pasi të gjithë personazhet e ilustruara në libra vijnë nga shoqëria maqedonase, thua se në Maqedoni nuk jetojnë shqiptarë, turq, e të tjerë.

Në MASH janë ndërmarrë disa iniciativa për të korrigjuar librat e kontestuar shkollor, mirëpo asnjëra prej tyre nuk është realizuar deri në fund. Formohen komisione, të cilat dështojnë pa nisur siç duhet punën e shqyrtimit dhe korrigjimit të librave. Kanë dështuar madje deri institucione të cilat u krijuar për gjoja parandalimi e problemeve të kësaj natyre, sikurse është Komisioni Nacional për Botimit e teksteve shkollore.(koha.mk)

Rexhepi: Bashkësia Fetare Islame të ketë status të barabartë me Kishën Ortodokse maqedonase

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se institucioni që drejton, është diskriminuar në vazhdimësi në dhjetë vjetët e fundit dhe kjo praktikë, shton ai, përfundimisht duhet të ndërpritet.

Për këtë arsye, ai thotë se i është drejtuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë me një shkresë, përmes së cilës kërkohet trajtim i barabartë i Bashkësisë Fetare Islame dhe Kishës Ortodokse në Maqedoni, përkatësisht aq sa investon shteti te Kisha Ortodokse po aq të investojë edhe te Bashkësia Fetare Islame. Kjo për faktin, siç thekson Rexhepi, se ky institucion më vete ngërthen rreth 1 milion besimtarë mysliman në Maqedoni, të të gjitha përkatësive etnike me theks ata shqiptarë.

“Ne e falënderojmë Zotin për këtë multi-etnicitet që na ka dhuruar në këtë nënqiell, por fatkeqësisht neve si institucion, na diskriminoi politika shumëvjeçare që e udhëheq shtetin që nga pavarësia e Maqedonisë. Kërkesat tona kanë të bëjnë me atë që ajo, e cila na garantohet me nenin 19 të Kushtetutës së Maqedonisë ku të gjitha bashkësitë fetare gëzojnë të drejta të barabartam të mos mbetet vetëm në teori, por të jetësohet kjo dispozitë ligjore edhe në praktikë”, thekson Rexhepi.

Ai nënvizon se politikat diskriminuese të shtetit ndaj Bashkësisë fetare Islame të Maqedonisë, kanë të bëjnë si në aspektin financiar, ashtu dhe goditjet që i janë bërë këtij institucioni përmes qarqeve të caktuara, por gjithmonë të mbështetura nga institucionet e shtetit.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, në festën e FitërBajramit, ka përcjellë porosi paqeje dhe mirëkuptimi ndërmjet njerëzve për të gjithë besimtarët myslimanë në Maqedoni, por edhe për ata të cilët ndodhen me punë të përkohshme në vendet e Evropës dhe në mbarë botën.

Ai në bisedën për Radion Evropa e Lirë, thekson se në kohën që Evropa gjendet nën ankthin e sulmeve tororise, nga të cilat ethe nuk e anashkalon as Maqedoninë përmes departamentit të veçantë të BFI të Maqedonisë, thotë se imamët shqiptarë që emërohen në diasporë me dekretin e institucionit që përfaqëson, duhet të angazhohen për reflektimin e imazhit të paqes që për burim ka frymën e Kuranit, duke u kujdesur me përkushtim që këto parime të mos devijohen.

Imamët, të cilët janë zgjedhur në diasporë me dekretimin tonë, sepse i drejtohen xhematit tonë atje duke e ditur përgatitjen e tyre profesionale do t’i kisha lutur të jenë të vëmendshëm të ruajnë të ruajnë imazhin e islamit si sytë e ballit dhe njëherësh të prezantojnë islamin ashtu siç është në të vërtetë, reflektim i paqes dhe tolerancës”, shton Rexhepi.

Ai njëherësh thekson se marrëdhëniet ndërfetare në Maqedoni në mesin e qytetarëve të të gjitha konfesioneve, janë të mira, por këto raporte atakohen jo rrallë nga politika.

“Për fat të keq, nëna e të gjitha të mirave ose nëna e të gjitha të këqijave është politika ajo, e cila menaxhon me vendin. Po qe se politika është politikë raciste, është politikë e cila vuan nga komplekset e ndryshme siç është realiteti ynë, atëherë ajo për qëllime të caktuara tenton t’i çrregullojë, t’i prishë marrëdhëniet ndërfetare”.

“Të përmend vetëm një rast në këtë drejtim. Ka dashur ose jo politikës së ish-qeverisë pak muaj më parë i është nënshtruar Kisha Ortodokse Maqedonase, e cila ka blerë pronat e BFI-së me një çmim simbolik nga Ministria e Financave. Është e paimagjinueshme se si xhamia e Shtipit, monument kulturo- historik i shitet Eparhisë së Shtipit. Jo që s`na kthehen pronat tona me procesin e denacionalizimit, por ata edhe shiten para syve tonë… kjo i tendos raportet ndërfetare”, deklaron Rexhepi.

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi njëherësh të gjithë besimtarëve myslimanë në Maqedoni u ka uruar festën e Bajramit duke u dëshiruar prosperitet dhe shumë begati.

Financial Times: Maqedonia të quhet Paeonia

Këto ditë ka ardhur një propozim interesant nga “Financial Times”, në kohën kur Shkupi dhe Athina përpiqen maksimalisht për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët rreth kontestit të emrit.

“Për shkak të rëndësisë vitale për t’u arritur stabiliteti në Ballkan, unë sugjeroj që emri i ri duhet të jetë “Paeonia”. Banorët duhet të jetë shumë krenar me këtë emër, pasi për dallim nga Maqedonia, Paionët kurrë nuk njohën besnikërinë ndaj Mbreti të Madh të Persisë gjatë periudhës 512 deri 496 p.e.s.,” shkruan Malcolm Spencer nga Universiteti i Mançesterit.

Kjo mund të ishte mjaft e pranueshme edhe për shqiptarët, pasi historiografia shqiptare thekson se paionët ishin një grup fisesh ilire që banonin në luginën e sipërme të Aksiosit (Vardari) dhe degëve të tij, duke u shtrirë në Lindje deri te lugina e Srymonit (Strimon) në kufi me fise trake në Perëndim në kufi me dardanët, penestët dhe dasaretët e Ilirisë. Përmenden për të parën herë nga Homeri si aleatë të trojanëve kundër akejve. Në fillim të shek. V p.e.r. u pushtuan nga persët dhe dy fise të tyre me urdhër të Darit u shërngulën në Azi.

Në gjysmën e parë të shek. IV paionët kishin krijuar mbretërinë e tyre , një ndër sundimtarët e të cilit ishte Agisi. Që nga kjo periudhë historia e paionëve është e lidhur me përpjekjet e vazhdueshme të shtetit maqedon për t’i nënshtruar.

Kjo u arrit gjatë sundimit të Filipit II dhe sidomos të Aleksandrit të Madh. Megjithatë duke njohur qeverisjen e Maqedonisë, paionët vazhdonin të sundoheshin formalisht nga mbretëria e tyre. Vetëm pas nënshtrimit të plotë nga ana e Lismakut nuk bëhet më fjalë për mbretër paionë.

Pas pushtimit romak Paionia u nda midis krahinave II dhe III, nga të katër provincat autonome të Maqedonisë të krijuar nga pushtuesit. Me riorganizimin administartiv të perandorisë e në kohën e Dioklecianit, Paionia së bashku me Pelagoninë formonin një krahinë të veçantë të quajtur Maqedonia II ose Salutaris.


Send this to a friend