VOAL

VOAL

Thaçi: Muajt në vazhdim do të gjendet zgjidhja për marrëveshjen me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në javët dhe muajt në vazhdim do të gjendet zgjidhja për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një deklaratë për media, në Bruksel, ku po merr pjesë në takimin e udhëheqësve të Ballkanit Perendimorë me zyrtarë të BE-së, presidenti Thaçi tha se letra e Presidentit Donald Trump, drejtuar atij, konfirmon qëndrimin se SHBA-të, do të qëndrojnë pranë Kosovës dhe do ta përkrahin atë në këtë fazë të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

” Mesazhet e presidentit Trump duhet lexuar drejt dhe kuptuar mirë. Nuk kemi aleat më të mirë sesa SHBA-të, nuk e di kush duhet të flasë për Kosovën nëse nuk flasin SHBA-të. Gjithë ata që kanë qenë dëshmitarë të negociatave në Bruksel, e dinë se SHBA-të, janë shumë të përfshira në procesin e arritjes së marrëveshjes historike. Javët dhe muajt e ardhshëm do të gjendet zgjidhja për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë” tha Thaçi.

Mirëpo presidenti Thaçi tha se pala kosovare nuk guxon ta humb këtë moment të angazhimit ndërkombëtar për Kosovën, pasi në të kundërten çmimi që do ta paguante do të ishte shumë i lartë.

“Këtë angazhim të gjithanshëm ndërkombëtar të SHBA-ve dhe BE-së nuk guxojmë ta humbim apo të lëshojmë të kalojë sepse mund të paguajmë çmim të lartë të mosinteresimit ndërkombëtar” deklaroi Thaçi.

Takimi në Bruksel i udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perendimor mbahet me ftesë të Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Në takim, do të diskutohet për situatën në rajon, arritjet gjatë vitit 2018 si dhe planet për vitin e ardhshëm, ka njoftuar Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian.

Kryeministri Haradinaj shpreh kënaqësinë pas bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Kryeministri Haradinaj pas bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg shprehet në rrjetin social:

“Sot, kam zhvilluar një bisedë miqësore telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg, dhe jam i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.

Me kënaqësi e informova Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetit Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n.

E garantova Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.

Kosova do të punojë ngusht me NATO-n për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes.

RH”

Hoxhaj: Marrëveshja me Serbinë arrihet në mars të 2019

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka folur për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë që mund të arrihen në Bruksel.

Hoxhaj deklaroi në emisionin Frontal të T7 se marrëveshja përfundimtare mes dy shteteve do të arrihet më së largu deri në mars të vitit 2019.

Ai ka treguar se me këtë rast do të ketë edhe njohje reciproke mes dy shteteve. Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se që nga letra që Trump i ka shkruar Thaçit, tani jemi në një situatë të re ku sipas tij dihet roli që ka SHBA. Hoxhaj ka sqaruar se në krye të dialogut me Serbinë do të jetë presidenti Hashim Thaçi.

Qeveria: Mbështetim Presidentin në procesin e dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës e mbështet presidentin në procesin e dialogut në bazë të kompetencave të tij kushtetuese. Por, dy përfaqësuesit e dy partive opozitare, nuk janë dakord që presidenti të drejtojë dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës i ktheu përgjigje Bashkimit Evropian lidhur me letrën dërguar në Prishtinë dhe e siguroi atë që e “mbështet Presidentin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”. Por presidentin Thaçi në rolin drejtuesit të dialogut nuk e mbështesin dhe e kundërshtojnë ashpër dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë LDK dhe Vetëvendosja. Tre përfaqësuesit e lartë të BE-së, Federika Mogherini, shefe e diplomacisë evropiane, Johanes Hahn komisioneri për Fqinjësi dhe Cecilia Malstron, komisionere për Tregti, në një letër dërguar qeverisë së Kosovës, shkruajnë se rezoluta e miratuar në Parlamentin e Kosovës për dialogun me Serbinë është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të kontribuojë për ta forcuar peshën e autoriteteve të Kosovës, duke vënë në pah që të mbështetet presidenti Thaçi në procesin e dialogut. Qeveria e Kosovës e konfirmon këtë mbështetje për presidentin, por vetëm duke u “bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”, konfirmoi për DW, zëdhënësja e qeverisë Donjeta Gashi. “Qeveria e Kosovës në baza të rregullta komunikon me Bashkimin Evropian. Ne jemi të përkushtuar për dialog. Bazuar në kompetencat që ka, qeveria është e angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj për një dialog konstruktiv dhe në të njëjtën kohë respekton dhe e mbështet presidentin në këtë proces, bazuar në kompetencat e tij Kushtetuese”.

Në letrën e tyre, tre përfaqësuesit e BE-së, Mogherini, Hahn dhe Malstorm, nuk janë pajtuar me konstatimin e kryeministrit Ramush Haradinaj, se dialogu është bllokuar. “Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm. Ne kemi ndarë këtë vlerësim me liderët e BE-së në Këshillin Evropian të dhjetorit dhe kemi marrë mbështetje inkurajuese. Është tani thelbësore  që ju me gjithë fuqinë tuaj t’i mbështesni përpjekjet e presidentit në dialog”, shkruajnë në letrën e tyre tre përfaqësuesit e BE-së.

Kryeministri Ramuash Haradinaj edhe të martën (18.12), pas një mbledhjeje të qeverisë, akuzoi drejtpërdrejt shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, e cila sipas tij, “e ka devijuar këtë dialog dhe i ka vënë në rrezik investimet e BE-së për këtë”.

“Që nga koha kur ka filluar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova është ajo që ka humbur”, tha kryeministri Haradinaj, duke shfaqur vendosmërinë e tij që: “Nuk guxojmë të pranojmë që vetëm dikush të japë detyra”. Sipas tij “Kosova nuk do të jetë në mëshirë të të tjerëve. Kosova punët e veta dhe vendimet e veta do t’i paraqesë vetë”, u shpreh i vendosur kryeministri Haradinaj

Ndërkohë, dy përfaqësuesit e dy partive politike më të mëdha opozitare, nuk janë dakord, që presidenti Thaçi ta udhëheqë dialogun me Serbinë, sikundër po e kundërshtojnë edhe rezolutën dhe ekipin negociues të partive në pushtet që u miratua të shtunën (15.12) në parlament.

“Vetëm Qeveria e Republikës së Kosovës me legjitimitet qytetar mund të udhëheq Kosovën në dialogun me Serbinë”, shkruan në profilin e tij social, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili vazhdimisht kërkon që në Kosovë duhet të ketë zgjedhje të reja dhe sipas tij, procesin e dialogut me Serbinë, duhet ta udhëheqin të zgjedhurit e rinj.

Kundër që Presidenti i Kosovës ta udhëheqë dialogun me Serbinë është shprehur edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili madje akuzon presidentin për: “skenare të fshehta”. Kurti shprehet edhe kundër  rezolutës në kuvendin e Kosovës për dialogun me Serbinë dhe kundër ekipit negociator, ndërsa i referohet fjalimit të Presidentit në Këshillin e Sigurimit. “Pra, Thaçi po i kthehet kohës kur fliste për ‘kompromis të dhimbshëm’ dhe ‘korrigjim të kufijve’. Vëreni me kujdes, tash flet sërish për ‘vendime të vështira’ dhe kundërshton atë që e quan ‘shkëmbim popullatash’, por nuk flet për integritet territorial dhe nuk kundërshton shkëmbimin territorial dhe as ndarjen e Kosovës. Votimi i të shtunës mbrëma në Kuvendin e Kosovës mban përgjegjësi historike për rikthimin e Thaçit dhe të pazarit të tij me Serbinë në kurriz të shtetit dhe territorit të Kosovës”, shkruan Albin Kurti.

Sidoqoftë, letrën e tre përfaqësuesve të lartë të BE-së dërguar qeverisë së Kosovës e ka kundërshtuar edhe rrjeti i organizatave të shoqërisë civile, “Grupi për Studime Juridike dhe Politike” (GLPS), duke thënë se “BE, po e konteston kornizën demokratike të vendimmarrjes së Republikës së Kosovës”.

“Letra në fjalë imponon qartë qëllimin që përfaqësuesi i vetëm në dialog të jetë Presidenti i vendit, z. Hashim Thaçi. Në këtë mënyrë, lë të nënkuptohet se kuvendi dhe qeveria, apo kushdo tjetër nuk mund të ushtrojnë mandatin përfaqësues dhe kushtetues në këtë proces. Rikujtojmë që roli i BE-së është lehtësimi i procesit të dialogut, dhe në një rol të tillë BE-ja supozohet që të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje që është e pranueshme dhe që është reflektim i drejtë i institucioneve demokratike të të dyja palëve”, thuhet në reagimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

“BE-ja nuk mund të ndërhyjë në dialog në formë të tillë që cënon rendin minimal të demokracisë së brendshme që është e përcaktuar qartazi në kushtetutën e vendit”, thuhet më tej në reagimin e GLPS. aa

Limaj: Vuçiqin e njoh nga Haga, nëse takohemi në Bruksel kam çka i them

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për të udhëhequr delegacionin shtetëror për bisedimet me Serbinë ka thënë se procesi i dialogut do të çojë në njohje reciproke, sepse ndryshe s’ka kuptim dialogut.

Objektivi kryesor, sipas Limajt, është njohja, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe mekanizma tjerë ndërkombëtare.

Limaj është zotuar se do delegacioni do të jetë i përgjegjshëm dhe transparent.

Kryetari i Nismës ka thënë se do ta bëjnë një qëndrim të përbashkët dhe Serbia do të marr përgjigjen.

Limaj ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që ta shikoj diskursin e Serbisë, sepse sipas Limajt, ata kanë diskurs luftë nxitëse dhe i mohojnë krimet që i kanë bërë në Kosovë.

Limaj ka thënë se Vuciqin e ka takuar në Hagë dhe në atë kohe presidenti serb e shërbente me kafe Vojisllav Sheshelin.

“Atje e kam parë në këtë cilësi. Dhe tash nëse e shoh kam çka i them”, ka thënë Limaj në Klan Kosova.

Dobruna përfundon intervistimin, pyetet si e njohu Hashim Thaçin

Nëpërmjet telefonit, avokati i Sokol Dobrunës, Ilir Hoxha, ka thënë se ekziston dyshimi se klienti i tij si udhëheqës i Gjykatës Ushtarake ka mundur të kryejë krime në periudhën kohore 98-99 që bie në juridiksionin e Gjykatës Speciale.

Avokati Hoxha për T7 ka konfirmuar se Sokol Dobruna është pyetur për raste të ndryshme për të cilat është lëshuar vendim nga Gjykata Ushtarake e UÇK-së.

Ai madje ka thënë se Dobruna është pyetur edhe për rastin e deputetit të AAK-së, Blerim Kuçi, për të cilin Dobruna kishte lëshuar një urdhër për ekzekutim me arsyen e dezertimit.

Hetuesit e Dhomave të Specializuar kanë pyetur Dobrunën edhe për shumë emra udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ndër ta edhe për njohjen e Dobrunës me ish-udhëheqësin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi.

Por, avokati Ilir Hoxha, thotë se ende nuk kanë ndonjë informacion nëse do të ngrihet aktakuzë ndaj Sokol Dobrunës.

Ndërkaq, Dobruna ende nuk ka marrë ftesë për t’u paraqitur në Hagë./GazetaExpress

Ekipi i ri negociator pretendon rolin kryesor në dialogun me Serbinë

Arton Konushevci

Ekipi negociator do ta ketë rolin kryesor në bisedimet politike me Serbinë, thonë përfaqësuesit politikë që sponsorizuan miratimin e rezolutës për dialogun të shtunën e kaluar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe i propozuar si bashkudhëheqës i ekipit negociator me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë, se delegacioni shtetëror i Kosovës ka fuqi negociuese dhe do të koordinojë të gjitha aktivitetet e saj me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe presidentin, Qeverinë dhe Kuvendin.

“Do të bashkërendojmë edhe platformën apo principet e dialogut, kështu që unë tani e shoh një situatë, një kthim në normalitet. Krijohet një epiqendër e koordinimit dhe aktiviteteve që Kosova të dalë sa më mirë në këto bisedime”, tha Limaj.

Bisedimet politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me lehtësimin e Bashkimit Evropian, deri më tani janë zhvilluar në nivel të presidentëve. Por, tash e tutje, ekipi i ri beson se mund të marrë përsipër gjithë procesin.

​Zëvendëskryeministri Limaj thotë se pala nga Kosova tash e tutje do të shkojë në Bruksel me përbërjen e re, ndërsa siç tha ai, Kosovës nuk i intereson se në çfarë përbërje mund të vijë Serbia në bisedime.

“Si do të vijë Serbia është çështje tërësisht që i takon Serbisë, por Kosova e ka ketë delegacion dhe delegacioni e ka mandatin e Parlamentit të Kosovës për të negociuar dhe përafruar një marrëveshje gjithëpërfshirës. Delegacioni i Kosovës është pjesë e institucioneve kushtetuese të këtij vendi”, tha Limaj.

Limaj ka treguar për Radion Evropa e Lirë, se shumë shpejt ekipi negociator do të mblidhet dhe do të diskutojë për agjendën dhe platformën e bisedimeve.

“Ajo që është mëse e qartë, kemi një konsensus të plotë se Kosova futet në një dialog final me epilog njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB e të tjera”, tha Limaj.

Mandati i presidentit të Kosovës me Kushtetutë është udhëheqës i politikës së jashtme dhe ky mandat nuk mund të hiqet apo të zvogëlohet me ligje apo edhe me rezoluta që mund të miratohen.

Por, Visar Ymeri, nënkryetar i Partisë opozitare Socialdemokrate që është bërë pjesë e grupit negociator tha për Radion Evropa e Lirë se fjalën përfundimtare në dialog tash e tutje do ta ketë pikërisht ekipi negociator.

“Sa i takon këtij aktiviteti të veçantë i cili nuk është aktivitet i zakonshëm në politikën e jashtme të Kosovës, pra dialogu me Serbinë, fjalën përfundimtare do të ketë delegacioni shtetëror. Kështu është paraparë edhe me rezolutën e do të parashihet edhe me ligj. Pra, vendimmarrja për këtë i takon delegacionit shtetëror. Natyrisht delegacioni do të konsultohet edhe me institucionet e tjera, mirëpo delegacioni është mandatuar nga Kuvendi i Kosovës që ekskluzivisht të jetë vendimmarrësi edhe përfaqësuesi i Republikës së Kosovës sa i takon dialogut”, tha Ymeri.

Ndërsa ekipi negociator pretendon se ka marrë lidershipin ne dialog, nga zyra e Presidentit Thaçi nuk është dhënë asnjë sqarim, nëse presidenti është tërhequr nga roli i tij në këtë proces.

Sipas rezolutës së miratuar në Kuvend thuhet se “marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e dialogut do t’i nënshtrohet një Referendumi Konsultativ para se të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Jeta Krasniqi, analiste e Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tash dihet se presidenti Hashim Thaçi është ai i cili është duke udhëhequr me fazën final të dialogu Kosovë dhe formati i bisedimeve.

Ajo thekson se është shumë e rëndësishme që të ketë një sqarim se si do të ndërveprojnë këto dy formacione presidenti dhe delegacioni shtetëror dhe se cili do të jetë qëndrimi unik i shtetit të Kosovës.

“Presidenti Thaçi ende vazhdon me idenë se duhet të ketë një korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, atë siç edhe ai e quan. Se sa lehtë do të arrihet deri të një dakordim mund të them se ne mund të spekulojmë, por mbetet të shihet. Por, prapë po shihet se ka një diskrepancë mes këtyre qëndrimeve dhe derisa ka një diskrepancë ka një nevojë shumë të madhe serioze që të ketë një unitet. Nëse nuk do të ketë një unitet në qëndrimin e Kosovës në këto bisedime, ajo që do të dëmtohet është interesi i vetë Kosovës dhe qytetarëve”, tha Krasniqi.

Rezoluta e miratuar nga partitë në pushtet dhe PSD-ja në opozitë, nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Këto dy subjekte kërkojnë që Kosova fillimisht të shkojë në zgjedhje dhe më pastaj të formojë institucione që do ta përfaqësonin vendin në këtë proces final të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se me formimin e një ekipi të ri negociator për bisedimet me Serbinë, po bëhen përpjekje që, siç tha ai, “presidentit Thaçi t’i zvogëlohet vetmia”.

Ai tha se me formimin e atij grupi nuk shihet kurrfarë zgjidhje, por sipas tij, do të ketë gabime të reja.

“Cili është kuptimi që të krijohet grup negociator që do të përpilojë platformë e grupe pune, kur ndërkohë e ke shkruar marrëveshjen finale. Pra, njëherë e kanë shkruar marrëveshjen finale e pastaj thonë eja të formojmë grupe e të hartojmë platforma. Ky është rend i mbrapsht i gjërave”, tha Kurti në një konferencë për media.

rezolutën e miratuar në fundjavë, thuhet po ashtu se “çfarëdo veprimi të institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me Republikën e Serbisë duhet të bashkërendohen dhe të miratohen dyanshëm në mes instituticioneve të Republikës së Kosovës dhe delegacionit shtetëror.

Kurse, marrëveshja përfundimtare e cila mund të arrihet në procesin e dialogut do të konsiderohet e vlefshme vetëm pas ratifikimit të saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës sipas procedurës kushtetuese për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, thuhet në rezolutë.

Këshilli i Sigurimit diskuton rezolutën 1244 për Kosovën

Të hënën (17.12.) Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë rezolutën 1244 për Kosovën. Arsye është letra që Serbia i dërgoi presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të diskutojë të hënën, (17.12) rezolutën 1244 të vitit 1999 për Kosovën. Me marrjen e vendimit nga Parlamenti i Kosovës për hapjen e rrugës për kthimin e Forcës së Armatosur të Kosovës në ushtri të rregullt, më 14 dhjetori, Misioni i përhershëm i Serbisë pranë OKB, i dërgoi një letër presidentit të Këshillit të Sigurimit. Përmbajtja e letrës nuk është bërë e ditur për publikun, po mësohet jozyrtarisht që ka të bëjë me atë që Serbia e quan “shkelje të rezolutës” në pjesët e saj që kanë lidhje me sigurinë. Këshilli i Sigurimit e ka vendosur diskutimin mbasdite, në një nga pjesët e programit që Këshilli e ka përcaktuar për të diskutuar tema të ndryshme.

Presidencën e radhës këtë muaj e mban Bregu i Fildishtë. Përveç pesë anëtarëve të përhershëm që janë Kina, Rusia, SHBA, Franca dhe Anglia, Këshilli i Sigurimit ka aktualisht edhe dhjetë anëtarë të përkohshëm që janë Bregu i Fildishtë, Guinea Ekuadoriale, Etiopia, Kazakistani, Hollanda, Polonia, Bolivia, Peruja, Kuvajti, Suedia.

Për herë të fundit me Kosovën, Këshilli i Sigurimit u morr më 14 nëntor, kur shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin raportoi për zhvillimet e fundit në vend dhe ministri i jashtëm serb, Ivica Dacic kërkoi vazhdimin e misionit të UNMIK-ut. Rusia bëri të njëjtën gjë, ndërkohë që SHBA dhe anëtarët e Këshillit që janë vende të BE kërkuan që raportimet të bëhen më rrallë në ritëm kohor.

Kosova ‘nuk kursen’ buxhet për Ushtrinë

Nadie Ahmeti

Buxheti aktual, konsiderohet i mjaftueshëm për fillimin e procesit të transformimit të Forcës se Sigurisë se Kosovës në një forcë ushtarake.

Kuvendi i Kosovës të premten ka miratuar përfundimisht tri ligjet, me të cilat mundësohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë ushtarake, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, por pa prekur në emrin e saj.

Transformimi i FSK-së pritet të kalojë nëpër disa faza dhe të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet.

Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është paparë që të ketë ngritje graduale të buxhetit të FSK-së.

“Do të thotë është planifikuar që në proporcion me fuqinë ekonomike të vendit, të shtohen edhe financat për Forcën e Sigurisë së Kosovës me mision të ri. Buxheti aktual për vitin 2018 është 53 milionë euro dhe është paraparë që për çdo vit të shtohen nga 5 milionë euro. Për vitin 2019, do të jetë 58 milion euro. Për vitin 2020 – 61 milionë, kurse për vitin 2021 buxheti do të jetë 66 milionë euro. Do të thotë është një ngritje graduale prej 5 milionë eurosh në vit”.

“Mirëpo, ky plan nuk mund të jetë fleksibil, varësisht nga rrethanat e sigurisë në vend dhe rajon dhe sigurisht që shteti, për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në do të ketë prioritet në rrethana të caktuara”, bën të ditur Shala.

Pavarësisht kostos, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, tashme kanë deklaruar se ka bazë të mjaftueshme financiare për të ecur tutje me transformimin e FSK-së. Sipas tyre, brenda 10 vjetësh, sa është paraparë të marrë kohë ky proces, nga buxheti i Kosovës do të arrihet të sigurohen mjetet financiare.

Edhe Plator Avdiu, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se duke marrë për bazë buxhetin e Kosovës, shuma e ndarë për Ushtrinë e Kosovës është e mjaftueshme.

Ai thotë se FSK- ja mund të marrë mjete shtesë edhe nga shtete anëtare të NATO-s, konkretisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera që janë shprehur në favor të ndërtimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Duke marrë parasysh se mandati i ri i FSK-së do të jetë ndërtim i kapaciteteve mbrojtëse dhe jo ndërtim i kapaciteteve ofensive ose sulmuese, rritja e buxhetit për çdo vit nga 5 milionë nuk do të thotë se do të mbetet gjithmonë i njëjtë për shkak se kjo shifër, me rritjen progresive të buxhetit të Kosovës mund të rritet edhe përqindja e buxhetit për FSK-në. Kështu që nuk mendoj se kjo mund të paraqesë ndonjë problem shumë të madh”, thotë Avdiu.

Forca e Sigurisë së Kosovës apo Ushtria e Kosovës është një forcë shumetnike, e uniformuar dhe e pajisur me armatim të lehtë. Ibrahim Shala thotë se varësisht nga zhvillimi dhe buxheti, Ushtria e Kosovës do të pajiset edhe me armatim.

Automjetet "Humvee" të FSK-së

Automjetet “Humvee” të FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës, javën e kaluar është pajisur me 24 automjete ushtarake të tipit “Humvee”, të cilat kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

FSK-ja apo Ushtria e Kosovës, në vitet vijuese, do të pajiset më gjithë armatimin e mjaftueshëm dhe të nevojshëm për t’i kryer detyrat që dalin nga misioni i ri, ka thënë më herët në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kadri Kastrati ish-komandant i FSK-së.

“Kalibri më i madh që është paraparë për Ushtrinë e Kosovës, do të jenë topat deri në 105 milimetra, minahedhës deri 120 milimetra, mbrojtje kundërajrore, helikopterë dhe të gjithë armatimin nën këtë kalibër”, ka thënë Kastrati.

FSK-ja është themeluar në vitin 2009, sipas Planit Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës të presidentit Marti Ahtisaari, në bazë të së cilit ishte shpallur pavarësia e Kosovës. FSK-ja aktualisht numëron 2500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervistë, thotë Shala, duke shtuar se ky numër pas ndërrimit të mandatit, do të dyfishohet. Më mandatin e ri parashihet që të ketë 5000 ushtarë aktivë dhe 3000 pjesëtarë rezervë.

Ndryshe, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake nuk arriti të sigurojë mbështetjen e plotë të NATO-s. Por, ka siguruar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm (SIPRI), vendet e rajonit shpenzojnë vlera të ndryshme për ushtritë e tyre. Sipas këtij instituti, Mali i Zi në vitin e 2017 për ushtri ka shpenzuar më shumë se 63 milionë euro, Shqipëria më se 134 milionë euro, Maqedonia më shumë se 97 milionë euro, kurse Serbia më shumë se 614 milionë euro.

Thaçi para nisjes për në New York: Ushtria e Kosovës proces i pakthyeshëm

PRISHTINË – Vendimi i autoriteteve të Kosovës për formimin e ushtrisë është historik dhe i pakthyeshëm, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi para nisjes për në New York të SHBA-së ku do të marrë pjesë në takimin urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës tha se vendimi për formimin e ushtrisë ishte në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor dhe se ai u miratua pothuajse njëzëri nga Kuvendi i Kosovës.

“Formimi i Ushtrisë së Kosovës, pavarësisht nga diskutimi që do të mbahet në Këshillin e Sigurimit, pavarësisht shqetësimit të këtij apo atij personi apo një shteti të caktuar, është një proces i pakthyeshëm, përkundrazi ajo vetëm se do të zhvillohet dhe fuqizohet”, tha Thaçi.

Sipas fjalëve të tij, Ushtria e Kosovës do të përçojë mesazhin më të mirë të mundshëm, tolerancën, harmoninë për të gjithë njerëzit.

“Sot paradite u takova me qytetarët serbë në vende të ndryshme në Kosovë, të cilët ndjehen mirë lidhur me vendimin e Kuvendit të Kosovës dhe ata duan t’i shërbejnë forcimit të multietnicitetit në të gjitha institucionet e Kosovës. Nëse Serbia është e zemëruar dhe e shqetësur nga vendimi për formimin e Ushtrisë së Kosovës, serbët e Kosovës janë rehat dhe komod dhe do të participojnë në institucionet dhe në Ushtrinë e Kosovës ashtu siç edhe janë aktivë”, deklaroi Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Thaçi theksoi se përveç formimit të ushtrisë, lajm shumë i rëndësishëm është edhe rezoluta e votuar dje për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës dhe formimin e ekipit negociator të spektrit të gjerë, i përbërë nga përfaqësues të qeverisë, opozitës dhe shoqërisë civile.

Ai shprehu bindjen se Kosova nga ky dialog do të dalë me sukses dhe se në këtë mënyrë përgjithmonë do të mbyllet periudha e errët e konfliktit, e cila çoi Serbinë në nivelin e gjenocidit në Kosovë, spastrimit etnik të shqiptarëve, vrasjen e 13.000 civilëve shqiptarë dhe përdhunimin e 20.000 grave shqiptare, e cila për fat të keq ende nuk ka marrë një përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare.

Serbia, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me kërkesë të tij do të përfaqësohet nga presidenti, Aleksandar Vuçiç.

Haradinaj i përgjigjet Mogherinit: S’e heqim taksën kundër Serbisë

Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë kompromis me BE-në edhe pasi Frederica Mogherini po ofron që në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë emërtimi i shtetit tonë, UNMIK të zevëndësohet me Kosovo*. Një përgjigjje me shkrim Mogherinit pritet t’i dërgohet gjatë ditës së hënë, përmbajtja e së cilës qartëson se Ramush Haradinaj nuk do të ketë asnjë qëndrim ndryshe nga ata që tashmë i njohin të gjithë qytetarët e Kosovës.

Pas raportimit të mediave se Mogherini bashkë më Komisioneren për tregti Malmstrom dhe Komisioneri Hahn iu drejtuan Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, për zgjidhjen e problemit të tarifave ndaj Serbisë. Gazeta Express ka kontaktuar me shefin e stafit të Haradinajt, Avni Arifin.

Arifi ka konfirmuar se Qeveria e ka pranuar letrën në fjalë për të cilën kryeminsitri do t’i kthejë përgjigjje këtë të hënë.

“Letra nuk përmban asnjë rresht me ndonjë qëndrim që nuk është i njohur për qytetarët e Kosovës. Të gjitha qëndrimet e Qeverisë janë të njohura për qytetarët”, tha Arifi.

Në bazë të kësaj deklarate nënkuptohet se Qeveria do t’i thotë jo ofertës së BE-së. Pra, sipas të gjitha gjasave Mogherini bashkë me komisionerët tjerë të BE-së do të marrin përgjigjje negative.

Ndryshe, vendimi për taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ka arritur efektin e parë. BE po ofron një kompromis, i cili do të refuzohet nga Qeveria.

Pas dështimit në INTERPOL për të cilin Serbia loboi maksimalisht kundër Kosovës, Qeveria mori vendim për taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

Humbjet që i shkaktohen Serbisë dhe Bosnja e Hercegovinës karshi taksës së vendosur për produktet e këtyre shteteve nga Republika e Kosovës, po i kushtojnë këtyre shteteve me miliarda euro.

Përveç kësaj, Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar edhe masa tjera të reciprocitetit./Gazeta Express

Parlamenti i Kosovës miraton edhe ekipin negociator për bisedimet me Serbinë

Me 59 vota të 61 deputetëve të pranishëm, parlamenti i Kosovës miratoi rezolutën dhe ekipi negociator për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Rezoluta është hartuar nga Partia Socialdemokrate në opozitë, e cila bëhet pjesë e ekipit negociues të propozuar nga qeveria e Kosovës. Projekt rezoluta përfshinë parimet e bisedimeve me Serbinë dhe në të kërkohet që çdo marrëveshje e mundshme të kalojë përmes parlamentit të Kosovës.

Delegacioni do të udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialdemokrate Shpend Ahmeti dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj. Pjesë e delegacionit do jenë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, Avni Arifi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, ministri nga radhët e pakicës turke, Mahir Yagcilar, zëvendëskryeministri Dardan Gashi, një përfaqësues i shoqërisë civile, si dhe dy vende janë të rezervuara për dy partitë opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosje.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, tha se rezoluta përfshinë të gjitha çështjet e ngritura në diskutimin publik e parlamentar për bisedimet. Sipas tij vendimmarrja në këtë proces ka kaluar te delegacioni shtetëror i cili edhe mandatohet edhe i jep llogari parlamentit.

“Me rezolutë zotohemi e me platformën shtetërore do të konfirmohen pacenueshmëria dhe patjetërsueshmëria e sovranitetit shtetëror, integritetit territorial dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Përmes këtij procesi të dialogut përfundimisht Serbia do të obligohet të njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran përndryshe nuk do të ketë marrëveshje me Serbinë. Republika e Kosovës nuk do të zbatojë asgjë njëanshëm”, tha ai.

Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje bojkotuan seancën ndërsa kërkuan legjitimitet qytetarë para se të formohet çfarëdo ekipi negociator.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, numëroi dy çështje që sipas tij janë të rëndësishme për të ardhmen e bisedimeve.

“E para që platformë e vetme për dialog është vetëm kushtetuta e Kosovës, nuk mund të ketë kurrfarë platforme që del mbi kushtetutën e Kosovës dhe e dyta nuk mund të simulojmë ekipe për dialog, pasi ekip për dialog është vetëm qeveria që ka legjitimitet qytetarë, qeveri e shumicës që flet në emër të shumicës së qytetarëve normalisht me rolin shumë të rëndësishëm në atë ekip në të ardhmen të opozitës, të shoqërisë civile”, tha zoti Hoti.

Shefi i grupit parlamentar i lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet për të shkuar në bisedime me Serbinë.

“Kapaciteti jonë si spektër politik i Kosovës për të ndaluar projektin i cili është në tavolinë, vetëm një projekt sot ekziston, projekti i Hashim Thaçit. Kur t’i mbyllet këtij projekti dera dhe Hashim Thaçi të jap përgjegjësi për këto dëme që ja ka shkaktuar Kosovës atëherë kjo është masë preventive, por atëherë ne jemi të sigurt në shtetin tonë, pastaj hapi i dytë dhe i tretë janë zgjedhjet e reja në Kosovë”, tha zoti Konjufca.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shkroi menjëherë në rrjetet sociale se “e mirëpret vendimin e rëndësishëm për krijimin e ekipit negociator për bisedimet me Serbinë. Pres të punoj me ta për të arritur marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse që do të hapë dyert e OKB-së, NATO-s dhe BE-së për Kosovën”,

I welcome the important decision today on creation of the Negotiations Team for the dialogue with #Serbia co-headed by Mr. Limaj & Mr. Ahmeti. I look forward working with them together in reaching final, comprehensive settlement that will open UN, NATO and EU doors for #Kosovo.

— Hashim Thaçi (@HashimThaciRKS) December 15, 2018

Më herët gjatë ditës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me votimin e rezolutës, parlamenti merr rolin kryesor në bisedime, ndërsa presidenti Thaçi vazhdon me detyrat e tij sipas kushtetutës.

Miratimi i rezolutës shihet edhe si kundërvënie ndaj ideve për prekjen e kufijve që u hodhën gjatë verës nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kryetari i Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se seanca ka për synim të dëshmojë se Kosova nuk e bllokon procesin e bisedimeve.

Bisedimet tashmë kanë ngecur dhe Beogradi ka kushtëzuar vazhdimin e tyre me heqjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe, një vendim që qeveria e Kosovës e vendosi më 21 nëntor si kundërpërgjigje ndaj siç është thënë, fushatës agresive serbe ndaj shtetësisë së Kosovës.

Tensionet ndërmjet të dyja vendeve u shtuan pas votimit të së premtes në parlamentin e Kosovës për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë, duke i hapur rrugë procesit të themelimit të ushtrisë së saj, një veprim që zemëroi Beogradin i cili tha se do të përdorë forcën nëse ajo keqpërdoret për të sulmuar serbët e Kosovës.

Vendet që mbështetën votimin për ushtrinë kërkuan që Kosova t’u ripërkushtohet bisedimeve. John Bolton, këshilltar për siguri kombëtare i presidentit amerikan, Donald Trump, shkroi në twitter se një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë sa më parë.

I welcomed Foreign Minister Miro Cerar of Slovenia to the White House today. As NATO Allies, we discussed our shared economic and security interests in Europe and the need for Serbia and Kosovo to reach an agreement as soon as possible. I much appreciated his insights.

— John Bolton (@AmbJohnBolton) December 14, 2018

Por, ndërsa themelimi i ushtrisë mori 107 vota në parlamentin 120 vendesh, rezoluta e së shtunës mezi u votua dhe u deshën shumë orë për të filluar seancën e parlamentit.

Pa LDK-në dhe VV-në, miratohet rezoluta për dialogun me Serbinë

Nadie Ahmeti

Kuvendi i Kosovës, me 59 vota për dhe dy abstenime, ka miratuar rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme është mbajtur më kërkesë të 42 deputetëve, kryesisht të partive politike në pushtet Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK), Nismës Socialdemokrate dhe partisë në opozitë Partisë Socialdemokrate.

Në këtë rezolutë, thuhet se delegacioni shtetëror do të përbëhet nga përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Delegacioni shtetëror sipas rezolutës, ka dy bashkëdrejtues që vijnë nga radhët e opozitës dhe pushtetit. Të dy bashkëdrejtuesit do të duhej të votoheshin nga Kuvendi, së bashku me delegacionin shtetëror.

Qeveria e Kosovës në muajin shtator ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator, ndërkaq se fundmi është përfolur se Shpend Ahmeti mund të jetë bashkëkryesues i ekipit negociues, së bashku me Fatmir Limajn.

Në seancën që është mbajtur të shtunën nuk kanë marrë pjesë subjektet opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është përpjekje e kotë e qeverisë pa legjitimitet, që tash e ka marrë prapa edhe PSD-në.

“Draft-rezoluta është përpjekje e dështuar e PSD-së për të mbuluar koalicionin e fshehtë me koalicionin PAN. Duhet ta kenë të qartë të gjithë se dialogu nuk mund të zhvillohet nga ata që nuk kanë legjitimitet”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kurse Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka thënë se Partia Socialdemokrate është bërë faktori kryesor i mbijetesës se Qeverisë se Kosovës, pasi sipas tij, pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol dhe mosliberalizim të vizave, kjo qeveri është dashur të japë dorëheqje.

“Rënia e kësaj qeverie ka qenë shumë e sigurt, nuk ka pasur rrugë tjetër kjo qeveri vetëm të japë dorëheqje dhe të shkojë në shtëpi. Por doli në skenë në momentet më kritike Partia Socialdemokrate për t’ju gjetur kësaj qeverie në ditët e saj më të vështira dhe është duke shpëtuar këtë qeveri nga rënia e saj e sigurt sepse po bëhet asistencë e kësaj qeverie me negociatat me Serbinë”, tha Konjufca.

Qeveria e Kosovës, për disa ditë kishte vazhduar përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.

Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sipas rezolutës, do që duhej që një përfaqësues të jetë nga shoqëria civile, si anëtar i rregullt i delegacionit shtetëror. Edhe ky anëtar, do të duhej të merrte votat nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të votimit të platformës për dialog. Delegacioni shtetëror është paraparë që të ketë 11 anëtarë.

Kosova ime-urime Ushtrinë! Faleminderit AMERIKË! – Nga GANI QARRI

Ëndrra shekullore për arritjen e lirisë, ushtrinë dhe sovranitet tonë shtetëror u bë realitet. Votimi historik dhe vendimi sovran i parlamentit të Kosovës për formimin e ushtrisë ka domethënie të madhe dhe simbolikë të veçantë për Dardaninë e vjetër sa vet toka dhe të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

Dita kur Kuvendi i Kosovës miratojë 3 projektligjet e fundit që i hapën rrugën krijimit të ushtrisë së shtetit, deri tek e cila kemi arritur duke kaluar nëpër shumë sfida dhe peripeci të mëdha u bë histori.

Ndaj, 14 dhjetori i vitit 2018, do të hyj në kronikat e lavdisë si datë e veçantë për Kosovën dhe popullin e saj, shtet ndërtimin dhe epokën më të re të Republikës së Kosovës.

Votimi unanim në seancën plenare në Kuvend, nga të gjithë deputetët e vendit, për formimin e Ushtrisë së Kosovës u shndrrua në mision të arritjes kombëtare të realizuar me shumë sukses .

Ma gëzofsh Ushtrinë, lirinë dhe shtetin e ëndërruar për shekuj e shekuj me radhë-Kosova ime!

Një ditë si kjo është një nga ditët më të veçanta në historinë tënde më të re, tanimë shtet sovran e i pavarur dhe me ushtri të formuar.

Mërgimtarët kudo, rrallëherë mund të kenë qenë më të lumtur se në këtë ditë të bekuar për Kosovën dhe popullin e saj.

Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet,ndaj të gjithë presin me padurim që edhe votimi të jetë unanim nga partitë dhe deputetët autokton,të vetëdijshëm se formimi i ushtrisë nënkupton edhe vulosjen e sovranitetit dhe garantimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të rrezikuar keq, kohët e fundit nga presidenti kuisling Hashim Thaçi, arsye që obligon Qeverinë për zhveshjen e ushtrisë tonë të sapoformuar nga mbështetsit e tij.

Nëse kjo masë e domosdoshme për çfarërdo arsyetimi shtyhet a zhagitet,atëherë kjo do të shihet dhe trajtohet me dyshim si tradhti piksëpari ndaj SHBA-s,NATO-s dhe vendeve tjera mike që na përkrahën dhe ndihmuan në formimin e ushtrisë tonë, sepse “gjeneralët” të cilët u graduan me shitjen e tokave të Kosovës nga Hashim Thaçi & C0, nuk mund tu besohet mbrojtja e shteteve të huaja ,ku NATO mund ti dërgojë me mision ushtarak.

Ndaj kjo duhet të ndodhë edhe për faktin që ne, nga sot dhe në të ardhmen me të drejtë të ndjehemi shumë krenar dhe me plot fat, të adhuruar deri në qiell edhe nga vet Zoti,kur dihet se në rrugëtimin tonë historik, në vijimësi kemi gëzuar dhe gëzojmë mbështetjen e vendosur dhe të pareshtur të shteteve dhe fuqive më të mëdha e më progresive në botë, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe aleatëve të tjerë ndërkombëtar, të cilët nuk guxojmë ti zhgënjejmë as pas formimit të Ushtrisë së shtetit tonë të lirë.

Në këtë mënyrë edhe 14 dhjetori i vitit 2018, jo vetëm se do të na gëzojë më shumë, bëjë më të sigurt dhe pafundësisht krenar, por për të gjithë qytetarët do të jetë një datë e paharruar e cila do të shënohet me germa të arta në piedestalin më të lartë të historisë më të re të shtetit tonë Kosovës.

Ushtrinë e Kosovës, askush më nuk mund ta ndal as e konsiderojë të rrezikshme, përveç Serbisë fashiste që ende ëndërron ta shkelë dhe pushtojë vendin tonë me zjarr e hekur, siç veproi disa herë për më tepër se 80 vite me radhë, por kjo ëndërr e trishtë, nuk do të përsëritet më kurrë dhe me datën e 14 dhjetorit 2018 përgjithmonë do të fundoset dhe perëndojë edhe për këtë shtet okupator.

Formimi i ushtrisë nuk ka asgjë negative dhe as destabilizuese, madje një gjë e tillë nuk ka arsye as të diskutohet, tha edhe shkëlqesia e tij, Ruairi O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe në vendin tonë.

Përkundrazi pas kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë se do të intervenojë sot, do të ndërhyjë nesër ,se në çdo moment mund të sulmojë vendin tonë me forcat e saj etj, e bëri të domosdoshme që Kosova përfundimisht të krijoj ushtrinë e vet dhe forcat e nevojshme për vetëmbrojtje nga ky shtet tipik pushtues.

Pra për shumë arsye dita e 14 dhjetorit po hynë në histori si datë e veçantë për Kosovën dhe pas pritjes shekullore për liri,çlirim e shtet të pavarur, Kosova përfundimisht, e zgjodhi edhe problemin e mbetur pezull tash e sa kohë për krijimin e Ushtrisë së saj.

Ndaj me të drejtë edhe u prit me kaq ngazëllim seanca plenare në Kuvend për votimin e ligjeve të parapara si dhe jetësimin e agjendës shtetërore të shndërrimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës.

Fatmirësisht, ne nga SHBA, siç kemi marrë përkrahjen e plotë për formimin e Ushtrisë,po ashtu na u tha vëllazërisht se do marrim në vijimësi edhe ndihma tjera konkrete për ngritjen e kapaciteteve tona të nevojshme ushtarake.

Ngase ushtria, si njëra nga komponentët më të qenësishme për garantimin e mëvetësisë së shtetit tonë të pavarur, ka për detyrë ta ruaj sovranitetin dhe  integritetin cep me cep të territorit,si dhe të parandalojë fushëveprimin e armikut në vendin tonë.

NATO, në përfundim të ndërhyrjes së saj ajrore kundër Serbisë në vitin 1999 u vendos këtu për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Por fushata e pareshtur agresive kundër shtetësisë së Kosovës dhe qasja kërcënuese në vazhdimësi e Serbisë ndaj nesh edhe tash, njëjtë si në të kaluarën, e cila asnjëherë nuk pushoi, e bëri të domosdoshme që Kosova me në fund, ta formojë ushtrinë e vet!

Madje duke parë nevojën që kemi për vetëmbrojtje nga ky shtet okupator, komandanti i Forcave të NATO-s më seli në Napoli, admirali amerikan, James Foggo, nga Shkupi deklaroi se “transformimi i Forcës së Sigurisë në Ushtri, është një vendim sovran, që duhet ta ndërmarrin deputetët e Kosovës”.

Të mërkurën edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, gjithashtu theksoi se Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, ndaj edhe vendi i tij mbështetë pa asnjë rezervë krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Për aq më tepër ambasadori i sapoardhur amerikan në vendin tonë, z.Philip Kosnett, transformimin e Forcës së Sigurisë e konsideroi hap historik për Kosovën,si vend sovran dhe i pavarur, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë mbështetë dhe do ta mbështesin plotësisht zhvillimin profesional dhe ndryshimin organizativ të Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës!

Kosova, përkundër sjelljeve agresive të Serbisë, edhe në vigjilje të krijimit të ushtrisë së saj,u tregua e kujdesshme dhe siguroi serbët në vendin tonë, se ushtria nuk është e drejtuar kundër asnjë qytetari të saj, ndërsa pohimet agresive të qeveritarëve serb, janë thjeshtë “propagandë e qëllimshme nga ana e Serbisë”.

Megjithatë në orët e mbrëmjes së të enjëtës, Policia u njoftua edhe për një mjet të dyshuar në afërsi të rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, konkretisht në rrugicën e hyrjes së Gazimestanit ku u gjetën 15 kilogram eksploziv.

Ky ishte vetëm njëri nga tentimet për ta destabilizuar brenda për brenda vendin tonë nga armiqtë, pak para votimit të ushtrisë së shtetit të Kosovës.

Përkundër të gjithave Ushtria e Kosovës u formua dhe shndërrua në realitet  dhe atë jo vetëm Serbia, por nuk ka forcë më që do të mund ta ndalojë.

Ushtria e Kosovës, u tha se do ti ketë 5 mijë trupa aktiv dhe 3 mijë rezervë të armatosur lehtë, fakt që nuk paraqet asnjë kërcënim për Serbinë,ndaj shteti okpator serb jo vetëm habit por edhe bëhet pafundësisht qesharak me reagimet kaq agresive kundër Ushtrisë së Kosovës e cila me përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve, dhe aleatëve tjerë ndërkombëtar, pas formimit mëton të bëhet pjesë e NATO-s, ku shihet edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran.

Urime dhe mbarësi të pafund; Ushtrisë, Shtetit dhe gjithë Popullit të Republikës së Kosovës!

Haradinaj: Kudo ku shkonte Krasniqi, njerëzit bëheshin luftëtarë

Nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe shoqatave të dala nga lufta është mbajtur sot akademia përkujtimore në 20-vjetorin e rënies heroike të komandant Mujë Krasniqit, i njohur me nofkën “Kapuçi” dhe 40 bashkëluftëtarëve të tjerë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me këtë rast ka nisur fjalimin me urimin për Ushtrinë e Kosovës, meqë sipas tij, edhe data 14 dhjetori nuk ishte caktuar rastësisht, por në ditën e përvjetorit të rënies së Mujë Krasniqit.

“Në këtë ditë të formimit të ushtrisë po na mungon ish-komandanti i UÇK, Sylejman Selimi, për të cilin presim të triumfojë për lirimin e tij. Komandant Mujë Krasniqi kujtohet sot për kontributin dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë”, ka thënë Veseli.

Kryeministri i Kosovës, Ramusha Haradinaj tha mes tjerash se Mujë Krasniqi kishte një aftësi të madhe për të shtuar radhët e ushtrisë me ushtarë të rinj. Ai tha se humbja e një luftëtari si ajo e Mujë Kransinqit, do mbetet gjatë në memorien e popullit si një ndër humbjet më të mëdha, që ka përjetuar ndonjëherë Kosova.

“Ku do që ishte Muja, njerëzit u bënin luftëtarë… Kemi pasur edhe shumë beteja me humbjen e ushtarëve, por kjo me Mujë Krasniqin ka qenë humbja më e madhe”, theksoi Haradinaj.

Marinsat amerikanë urojnë Ushtrinë e Kosovës

Marinsat e ushtrisë amerikane urojnë ushtrinë e Kosovës, bile këtë duke e bërë Shqiponjën më duar.

Djaloshi me prejardhje kosovare, Robert Shala është pjesëtar i Ushtrisë Amerikane.

Ai së bashku me kolegët e tij kanë shkrepur një fotografi ku shihen duke bërë Shqiponjën me duar.
Me anë të një postimi në Facebook, Shala uron formimin e ushtrisë së Kosovës.

Forcohet prania e KFOR-it në veri të Mitrovicës

PRISHTINË – Derisa në Kuvendin e Kosovës në Prishtinë votohej për projektligjet mbi transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës(FSK) në Ushtrinë e Kosovës, prania e forcave të KFOR-it në Mitrovicën Veriore është rritur, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat e KFOR-it janë vendosur në urën në lumin Ibër, që ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore me shumicë serbe dhe atë jugore shqiptare. Në pjesën veriore të Mitrovicës janë vendosur flamuj serbë që nga mëngjesi, ndërsa flamuri amerikan valëvitet në pjesën jugore.

Është njoftuar se studentët serbë përpara zyrës së UNMIK-ut dhe EULEX-it në veri të Mitrovicës do të kryejnë performancë të re pikërisht, simbolikisht sipas Rezolutës 1244 të OKB-së për Kosovën.

Kujtojmë se në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.

Lideri invalid, partia patericë! – Nga Florim Zeqa

Ideja e këtij shkrimi më lindi gjatë bisedës së Sekretarit të Përgjithshëm të LDK-së në një emision në mediumin publik, të datës 12 dhjetor 2018. Në pyetjen e moderatorit të emisionit në fjalë, rreth liderit të partisë, sekretari Ismet Beqiri u përgjigj, po citoj; “Ne e kemi liderin, ai tani i është kthyer partisë, edhe pse nuk është prezent në zyrat e partisë, ai po e kryen punën rreth 70 %”!

Thënë ndryshe, sipas sekretarit të partisë, z. Ismet Beqiri, lideri i LDK-së ka mungesë të prezencës në vendin e tij të punës dhe mungesë të theksuar të aftësive për të udhëhequr me partinë më të madhe opozitare.
Mirëpo, edhe përkundër mungesës dhe aftësive të kufizuara të liderit, LDK-ja ka vendosur t’i mbajë zgjedhjet e rregullta partiake në afatin e përcaktuar statutor të saj kah fundi i vitit 2019!
Kjo i bie, që për grupet e interesit dhe klanet e rreshtuara pas liderit, më i rëndësishëm për ta është Isa Mustafa se sa partia, përkatësisht më të rëndësishme janë interesat personale të individëve se sa interesi shtetëror!
Ndryshe nuk ka si të interpretohet mbajtja e liderit invalid në krye të partisë.
Në rrethanat e krijuara politike, partisë më të madhe opozitare i duhet një liderë i shëndetshëm, energjik, i guximshëm, aktiv dhe prezent në të gjitha aktivitetet e partisë, për të motivuar dhe rritur akoma më shumë opozitarizmin e LDK-së kundrejt kapësve dhe uzurpatorëve të shtetit.
Mbajtja në krye të partisë e një lideri invalid, përkatësisht e një njeriu me aftësi të kufizuara, përveqse shprehje e mentalitetit të kaluar komunist, është mendësi e primitive e dhunimit të demokracisë së brendshme partiake.
Për më tepër se kaq, mbajtja e mëtutjeshme në krye të partisë, e njeriut që e dëmtoi më shumë se askush tjetër LDK-në, është veprim sa i dëmshëm, po aq shkatërrimëtarë për subjektin më të vjetër të skenës politike kosovare.
Veprimet antidemokratike, sjelljet jo njerëzore ndaj zërave ndryshe dhe instalimi i formave më të vrazhda të diktaturës dhe kërcënimeve ndaj oponentëve brenda partisë, e kanë shëndrruar Isa Mustafën në liderë diktatorial të LDK-së.

Të heshtur në pritje të pushtetit

Mbajtja e Isa Mustafës në krye të LDK-së deri në afatin e rregullt zgjedhor dhe shkuarja eventuale e vendit në zgjedhje të parakohshme nacionale, LDK-së do t’i kushtoj me humbje të radhës, ndërsa qytetarëve me fundosjen e shpresave për ndryshime dhe jetë në vendin e tyre.
Paradoksalisht, përderisa partitë më të vogla, me liderë analfabet dhe handicap politik po qeverisin me vendin, subjekti më i madh opozitar-LDK-ja ka zgjedhur heshtjen, duke e pritur “peshkun” (pushtetin) e gatshëm nga zgjedhjet apo në tavolinën e bisedimeve me uzurpatorët e shtetit, pa e ndërmarrë asnjë veprim të vetëm konkret, gjegjësisht të organizimit të ndonjë proteste kundër pushtetarëve të inkriminuar.
Heshtja vrastare për shtetin e LDK-së, është duke iu shkuar për shtati partive në pushtet, por jo edhe qytetarëve të vendit, të cilët me shpresa të thyera, me lotë ndër sy janë duke e braktisur vendin e tyre të lindjes, shtetin për të cilin pritën gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.

LDK-ja patericë e opozitarizmit kosovar

Qëllimi i këtij shkrimi nuk janë dështimet dhe gabimet e Isa Mustafës nga ardhja me PUÇ politik në krye të LDK-së, as ndihma dhe mbajtja në pushtet e PDK-së, as zgjedhja e Hashim Thaçit president dhe as shpërdorimet e ‘fondit të 3 %’, por është parandalimi i rënjës së mëtutjeshme të LDK-së.
Për shkak se, është pak më tepër se irrituese për qytetarët e Kosovës, të shohin partinë shtetndërtuese (LDK-në) si patericë të partive të vogla dhe liderëve uzurpator të shtetit të Kosovës.
Po ndodh pikërisht kështu për faktin se LDK-së i mungon lideri që e meriton, e si pasojë e kësaj i mungojnë edhe nismat dhe iniciativat e shëndosha për realizimin e kthesës së madhe politike në vend.
Si pasojë e këtij vakumi politik, jo vetëm se po fuqizohet pushteti i inkriminuar, dita-ditës po zbehet edhe opozitarizmi i LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
LDK-ja, dikur prijëse e të gjitha proceseve në Kosovë, sot me liderin invalid, egoist dhe të papërgjegjshëm politikë është shndërruar edhe në patericë të opozitarizmit në Kosovë.
E quajta egoist dhe të papërgjegjshëm liderin e LDK-së, për faktin se vendit i duhet një parti e fortë e qëndres së djathtë, me orientim të qartë europerëndimorë, me liderë të shëndoshë e të pastër, të pa korruptuar dhe pa involvuar në veprime kriminale.
Ndryshe, në rrethana normale, një humbës (serik) i zgjedhjeve siq është Isa Mustafa do duhej të ndiqte shëmbullin e liderit të PD-së në Shqipëri, z. Sali Berisha, i cili lëshoj timonin e partisë si akt moral të humbjes së zgjedhjeve.
Ndërsa Isa Mustafa, si në rrethana normale, ashtu edhe në ato abnormale (shkaku i shëndetit të kufizuar) nuk e ka ndërmend të largohet i gjallë nga kreu i LDK-së!
Vetëm tërheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë dhe kërkimfalja ndaj qytetarëve për dëmin që i shkaktoi vendit me lidhjen e kurorës së panatyrshme me PDK-në në vitin 2014 (kur Kosova ishte në pragë të ndryshimit historik), do ta ndihmonte LDK-në rrugëtimin e saj politik, për çka do të krijohej edhe një standard i ri politik në vendin tonë.

Imoraliteti politik i Isa Mustafës

Të qëndruarit dhunshëm në krye të partisë përveqse e tregon fytyrën dhe imoralitetin politik të Isa Mustafës, në kundërshtim me shëndetin e tij dhe vullnetin e elektoratit, lë të hapura mëdyshjet për misionin e tij shkatërrimtarë në LDK!
Pas shkuarjes në amshim të liderit shpirtëror të LDK-së, presidentit historik Ibrahim Rugova, rrahagjoksit e frymës rugoviane, pushtetin e shfrytëzuan vetëm për interesat e tyre personale, asnjëherë nuk u moren me problemet e qytetarëve, e më së paku me zbardhjen e vrasjes së bashkëpartiakëve të tyre.
Fjalëve dhe hipokrizisë politike më nuk ju beson askush, rugovizmi mbrohet me vepra e jo me fjalë!
Në asnjë rrethanë politike, ndryshim pozitiv për vendin nuk do të sjellin ata që ishin dhe janë akoma suporti më i madh i Hashim Thaçit, përkatësisht ata që ngritën duart lartë për votimin e Thaçit president dhe marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga ai.
Pa reformim e thellë dhe përnbajtësorë të LDK-së, jo vetëm që nuk do të ndodh asnjëherë ndryshimi në këtë parti, do të kemi vetëm vazhdimësi, rikonfigurim dhe riciklim të figurave politike të klanit të Isa Mustafës.
Çdo tentim ikje nga realiteti dhe e vërteta e hidhur është shprehje e imoralitetit politik dhe hipokrizi e skajshme e liderit të LDK-së, i cili mund të jetë çkado tjetër por jo asnjëherë liderë shpirtërorë i subjektit më të vjetër në hapësirën politike shqiptare.

Gjermania dhe Turqia, eksportueset kryesore të mallrave në Kosovë

Fatlum Jashari

Gjermania dhe Turqia janë dy vendet që kanë marrë vendin e parë për kah niveli i eksportit të mallrave në drejtim të Kosovës. Këto dy shtete, prijnë për kah eksporti i mallrave në Kosovë që prej vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, më 21 nëntor.

Deri para tri javësh, listës së shteteve prej të cilave Kosova blinte më së shumti mallra i printe Serbia. Pas saj, në top-pesëshe renditeshin Gjermania, Turqia, Kina dhe Italia. Ndërsa, Shqipëria renditej në vendin e gjashtë të listës së shteteve, nga të cilat Kosova importonte më së shumti.

Sipas zëdhënësit të Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, në tri javët e para të taksës, në top- pesëshe të vendeve të importit nuk figuron më Serbia, ndërsa Gjermania zë vendin e parë, e Shqipëria shënon ngritje nga vendi i gjashtë në të katërtin.

“Duke përfshirë këto ditë, që nga vendosja e taksës, kemi rreth 21 milionë euro mallra import nga Gjermania, 21 (milionë euro) nga Turqia, 17 (milionë euro) nga Kina, 12 (milionë euro) nga Shqipëria dhe 10 nga Italia. Do të thotë, çka ka ndodhur në listën e top -pesë importuesve është se vetëm është hequr Serbia nga top-pesëshja”, bën të ditur Stavileci.

Ai thotë se para vendimit për taksën 100 për qind, Kosova importonte nga Serbia mesatarisht 36 milionë euro mallra, çdo muaj.

“Nëse e shohim në aspektin ditor, nga Serbia ka pasur një mesatare të eksportit ditor në Kosovë, të produkteve të tyre me rreth 1.2 milionë euro në ditë, derisa tërë vitin ka eksportuar rreth 440 milionë euro”, shton zëdhënësi i Doganës, Stavileci.

Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se bizneset kosovare kanë filluar të kërkojnë alternativa për zëvendësimin e produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, që kur fillimisht ishte vendosur taksa prej10 për qind.

Kreu i këtij institucioni, Berat Rukiqi, thotë se pas rritjes së taksës në 100 për qind, pothuajse tërësisht bizneset janë orientuar në gjetjen e tregjeve të reja furnizuese.

Duke marrë shembull rritjen e importit të hekurit nga Shqipëria, gjatë kësaj periudhe, si zëvendësim për atë nga Bosnja, Rukiqi thotë se kjo tregon që tregu shqiptar shërben kryesisht për import të lëndës së parë, ndërsa vendet tjera për produktet finale.

“Pra, kryesisht fokus i zëvendësimit të importeve në rastin e Shqipërisë, mund të jetë lënda e parë, për shkak të afërsisë, transportit, për shkak të kostos. Sa u përket produkteve finale, sigurisht në vendet tjera mund të gjenden alternativa dhe nuk mund të ketë ndikime edhe në çmime”, shpjegon Rukiqi.

Sipas Rukiqit, tregu i ri që po krijohet pas vendosjes së taksës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja, mund të jetë i qëndrueshëm vetëm nëse kjo masë mbetet në fuqi për një kohë më të gjatë, pasi shfuqizimi i saj, konsideron ai, do të mund të rikthente lidhjet me tregun e këtyre vendeve.

“Sa është e qëndrueshme, kjo mbetet të shihet varësisht nga kohëzgjatja e taksës. Çdo ditë më shumë që mbetet taksa, çdo ditë më shumë rritet edhe potenciali që një pjesë të mirë të tregut që Serbia e ka pasur në Kosovë edhe ta humbë përfundimisht, për shkak se në shumë raste krijohen lidhje afat-gjate, tash edhe këto gjetjet reja, të burimeve të reja, normalisht që krijojnë lidhje tjera dhe kjo pastaj ndikon që të humbë interesimi që të importohet nga Serbia”, shton kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.

Më 21 nëntor, Qeveria e Kosovës mori vendim për rritjen e taksës doganore në 100 për qind, për mallrat që importohet nga Serbia dhe Bonje e Hercegovina.

Pavarësisht kërkesës së Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e kësaj takse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përsëritur disa herë që kjo masë do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Republikën e Kosovës.

Haradinaj vendos t’i kthehet dialogut me Serbinë, propozon marrëveshje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një refuzimi gati dy vjeçar që të merret me çështjen e dialogut me Serbinë, sot ka bërë një veprim që do ta infiltrojë atë direkt në negociatat Kosovë-Serbi, raporton Gazeta Express.

Në një takim me përfaqësuesit e vendeve e Quint-it, kreu i Qeverisë, ka paraqitur draftin e parë të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ky draft-dokument iu është dërguar edhe të gjitha partive politike dhe bartëseve të institucioneve pra edhe presidentit Thaçi, dhe pritet që të diskutohet gjatë ditëve në vijim.

“Sot, përpara ambasadorëve të vendeve të Quint-it, kam paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi”, ka njoftuar Haradinaj përmes profilit të tij zyrtar në facebook, raporton Gazeta Express.

Shefi i Dialogut Teknik, Avni Arifi, në këtë takim ka prezantuar kapitujt, që për ne do të përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes, e cila do t’i hapë rrugë normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike. Në ditët dhe javët në vijim, ky draft-dokument do të diskutohet me të gjitha palët në shoqërinë tonë, për të arritur te dokumenti përfundimtar, ku do të përfshihet ekspertiza e të gjithëve”, përfundon njoftimi.

Deri tani dialogun me Serbinë e ka udhëhequr presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi./GazetaExpress/

Kandiç: Procedimi i krimeve të luftës i pamundur, për shkak të mos bashkëpunimit Kosovë-Serbi

PRISHTINË – Numri më i madh i të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, janë gjetur në Serbi, ndërsa mungesa e bashkëpunimit institucional pamundëson madje edhe ngritjen e akuzave kundër tyre, u tha sot në Prishtinë në konferencën “Ndjekja penale e krimeve të luftës: Bashkëpunimi-përvojat rajonale dhe sfidat”.

Konferenca e sotme u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë me partnerët “Dokumenta” nga Zagrebi dhe Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd.

Natasha Kandiç, themeluese e të Drejtës Humanitare dhe koordinatore për KOMRA ka thënë se në saje të Tribunalit të Hagës sot ne e dimë identitetin e rreth 20.000 viktimave të krimeve të luftës si dhe rrethanat në të cilat ata kanë humbur jetën apo janë zhdukur.

Kandiç ka shtuar se për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së viktimave, duke iu referuar gjenezës së krimit dhe të autorëve të drejtpërdrejt dhe atyre që janë përgjegjës për nga përgjegjësia komanduese. Ajo gjithashtu tha se Gjykata e Hagës dënoi 161 persona, që nuk është e mjaftueshme, por është një kontribut i madh për të siguruar të dhëna dhe fakte në lidhje me ngjarjet e janarit të vitit 1991 deri në fund të vitit 2001.

“Tribunali i Hagës përfundoi mandatin e vet. Disa shtete janë të kënaqura me disa vendime, për disa vendime nuk janë, por nuk ka asnjë shtet në territorin e ish-Jugosllavisë i cili ka vërejtje në gjetjet e fakteve në lidhje me viktimat e krimeve të luftës. Nuk ka pasur gabime nga Tribunali i Hagës, as nga Prokuroria për provat, as gjyqtarëve në vlerësime, kur është fjala për viktimat e krimeve të luftës”, tha Kandiç.

Natasha Kandiç theksoi se pajtimi kërkon bashkëpunim rajonal, por situata është e tillë që bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston.

“Ende nuk është gjetur një hapësirë e duhur në kuadër të Traktatit të Brukselit për të lejuar bashkëpunimin e institucioneve në mënyrë profesionale dhe juridike me qëllim të kushteve themelore për bashkimin me komunitetin evropian dhe ky është bashkëpunimi rajonal, i cili më pas ndikon në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha ajo, duke shtuar se nga pikëpamja e shoqërisë civile është shumë e rëndësishme të krijohet një mekanizëm, veçanërisht një komision ndërshtetëror rajonal që do të përqendrohet në viktimat.

Drita Hajdari, prokurore e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës theksoi se EULEX-i ka marrë 840 raste të krimeve të luftës, në kuadër të së cilës ka identifikuar 1,018 njerëz si autorë të mundshëm të krimeve të luftës. Hajdari vuri në dukje se problemi është se si të arrijnë tek këta njerëz, sepse shumica e tyre janë në Serbi.

“Prokuroria nuk mund të ngrejë aktakuzë në mungesë të të pandehurit, së pari duhet të marrë në pyetje dhe të ngrihet aktakuzë. Pra, nuk kemi mundësi as të ngremë padi, e lëre më paraqitjen e tyre para gjykatës. Siç është e njohur në Kosovë nuk mund të gjykohet në mungesë, që do të thotë se opsioni i vetëm që ka prokuroria është të kryejë hetime, të mbledh prova aq sa mund dhe të presin”, tha Hajdari.

Ajo tha se problemi qëndron në mungesën e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe se përkundër përpjekjeve të saj personale, ajo nuk arriti të krijojë bashkëpunim me institucionet serbe.

Paul Flynn, menaxher në Prokurorinë e EULEX-it, tha se problemi i të dyshuarve ekzistonte gjatë UNMIK-ut, edhe pse në atë kohë kishte të paktën një bashkëpunim me Beogradin. Flynn tha se Kosova është i vetmi vend në rajon pa një strategji për krimet e luftës, gjë që paraqet rrethana rënduese për të arritur përparim në lëndët e krimeve të luftës. Sipas tij, politikanët duhet t’i shtyjnë gjërat dhe të angazhohen për zgjidhjen e krimeve të luftës nëpërmjet mekanizmave rajonalë të bashkëpunimit me institucionet e zbatimit të ligjit. aa

Nisin intervistimet nga Prokuroria Speciale

Amra Zejneli-Loxha

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka nisur të intervistojë personat e ftuar, që kryesisht vijnë nga radhët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Bazuar në ligjin, ata janë të obliguar që t’i përgjigjen ftesës për intervistim.

Njëri nga të intervistuarit e parë është ish-pjesëtari i UÇK-së për Zonën e Pashtrikut, Safet Syla. Ai në një konferencë për media tha se për dy ditë nga nëntë orë është intervistuar nga Prokuroria Speciale. Por, sipas tij, ai është intervistuar në zyret e misionit për sundim të ligjit, EULEX në Prishtinë.

“Jam intervistuar për 18 orë nga Gjykata Speciale dhe më kanë marrë pa ftesë. Nga pyetjet e bëra kam kuptuar që me kanë intervistuar për rolin tim në luftë”, ka deklaruar Syla.

Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë që në çdo moment të ofrojë ndihmën e nevojshme për mbrojtje ligjore për “luftëtarët e lirisë”.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se deri më tash ftesat e për intervistim i kanë marrë shtatë persona dhe se vetëm në një rast është thënë që personi është ftuar në cilësinë e dëshmitarit. Ky Këshill ka shprehur dronë që personat që janë ftuar për intervistim mund të arrestohen.

Siç kanë konfirmuar avokatët deri më tash, për intervistim në Hagë, më 14 janar të vitit të ardhshëm, janë ftuar: ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa-Remi dhe ish-komandanti i UÇK-së në Drenicë, Sami Lushtaku.

Nga data 22 deri më 24 janar do të intervistohet Nazif Mehmeti. Ftesa për intervistim i është bërë edhe Sokol Dobrunës, ish-kryetar i gjykatës së UÇK-së. Ata kanë konfirmuar se do t’i përgjigjen ftesës dhe se bëhet fjalë vetëm për “ftesë për intervistim”.

Një tjetër person i ftuar nga Prokuroria Speciale është edhe Remzi Shala, ish-pjesëtar i njësitit special të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ai është ftuar të paraqitet para Prokurorisë së Specializuar më 17 janar të vitit të ardhshëm. Por, siç ka bërë të ditur vetë Shala, ai nuk do të paraqitet vullnetarisht në këtë Prokurori, duke thënë se nuk e njeh këtë institucion.

Ndonëse aktualisht nuk dihet se në çfarë cilësie janë të ftuar, në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, secili person që gjendet në Kosovë dhe të cilit i bëhet ftesa në cilësinë e dëshmitarit, është i obliguar që t’i përgjigjet ftesës dhe të dëshmojë.

Gjithashtu, në përputhje me të drejtat e të akuzuarve, të gjithë personat juridik dhe fizik në Kosovë, janë të obliguar që të bashkëpunojnë me Dhomat e Specializuara dhe me Prokurorin e Specializuar.

Në Prokurorinë e Specializuar nuk kanë dhënë informata lidhur me hetimet, por kanë theksuar që janë të vetëdijshëm që individët ose avokatët e tyre japin deklarata për mediat, në të cilat thonë se janë të ftuar për biseda në Hagë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuara, të cilat ndryshe njihen si Gjykata Speciale, janë përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Ky institucion është formuar pas miratimit të legjislacionit të nevojshëm nga Kuvendi i Kosovës dhe është funksionalizuar në tërësi në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja për procedurat dhe provat për kryerjen e procedurës penale. Në Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar punojnë rreth 150 persona, të cilët vijnë nga shtete të ndryshme nga e gjithë bota. Gjykatësit, të cilët janë 20, vijnë nga 14 vende.

Kosova, ndër vendet prijëse në botë që i kushton rëndësi vaksinimit

Ariana Kasapolli – Selani

Kosova njihet si vend me mbulueshmëri të mirë të imunizimit (vaksinimit). Sipas profesionistëve nga fusha e shëndetit publik, Kosova renditet në mesin e shteteve më të suksesshme në botë sa i përket imunizimit, me 95 për qind të popullatës së vaksinuar. Kurse sfidë më vete mbetet mbulueshmëria e vaksinimit të 5 për qind të popullatës, që i përkasin komuniteteve romë, ashkali e egjiptian.

Përkundër përpjekjeve të bëra nga zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, kjo kategori e shoqërisë vazhdon të mos jetë tërësisht e vaksinuar.

Sipas ekspertëve të fushës së shëndetësisë, vaksinat mund të mbrojnë nga 23 viruse të ndryshme dhe dy lloje kanceri. Vitet e fundit janë duke u zhvilluar një numër më i madh vaksinash, përfshirë një për virusin HIV, që shkakton sëmundjen e AIDS-it apo SIDA-s. Por, me gjithë këto përparime, shumë njerëz në botë zgjedhin të mos bëjnë vaksina as për vete, as për fëmijët e tyre.

Ndërkaq, në Kosovë disa vite të fundit ishte përhapur lajmi se vaksina kundër fruthit shkakton autizmin. Si rrjedhojë, shumë prindër edhe në Kosovë menduan që fëmijët e tyre të mos i vaksinojnë.

Nisur nga lajmet e shumta për efektet anësore të vaksinave, Leonita Bajraktari, nënë e dy fëmijëve, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe ajo i kishte rezervat e veta pse dyshonte në vaksinim.

“Jam nënë e dy vajzave. I kam vaksinuar me rregull fëmijët, por megjithatë vajzës së vogël disa muaj ia kam shtyrë vaksinën kundër fruthit, pasi lexoja vazhdimisht se pikërisht kjo vaksinë po e shkakton autizmin. Megjithatë, pas lajmit se në Evropë është rishfaqur fruthi, unë kam vendosur ta vaksinoj, duke e ditur se virusi i fruthit mund të shkaktojë edhe vdekje. Unë si nënë nuk munda ta marrë atë përgjegjësi dhe mos ta vaksinoj vajzën, pasi i gjithë stafi mjekësor ishin kategorik se fëmija duhet vaksinuar”, thotë Leonita.

Epidemiologia Isme Humolli, thotë se vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin, duke demantuar informatat që jepen nga njerëz të ndryshëm në lidhje me vaksinimin.

“Vaksina kundër fruthit nuk e shkakton autizmin. Mendoj se çdo informatë që është kundër vaksinimit normal ka ndikuar negativisht. Por, paraqitja e rasteve të fruthit automatikisht e ngriti vetëdijen e popullatës dhe kërkesën për t’u vaksinuar dhe ata vetë u lajmëruan për vaksinim”, tha Humolli.

Pikërisht epidemia e fruthit ishte përhapur në Evropë, por edhe në Kosovë me një shpejtësi më të madhe, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007 ishte trefishuar. Vitin e kaluar, në Evropë më tepër se 14 mijë njerëz u prekën nga fruthi. Numrin më të madh të rasteve e pati Rumania. Ndërkaq në Kosovë nga muaji qershor i vitit 2017, kur edhe ishin lajmëruar rastet e para të fruthit në Kosovë, viti është përmbyllur me 1,005 persona të prekur me këtë virus ku prej tyre 552 janë hospitalizuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sali Ahmeti, infektolog tha për Radion Evropa e Lirë se gjatë vitit 2018, në muajin janar dhe shkurt ka pasur raste më të shpeshta të paraqitjes së fruthit, derisa më pas ka rënë intensiteti i virusit.

“Gjatë këtij viti ka pasur raste që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga fruthi, por që kanë qenë sporadike. Nuk ka pasur epidemi fruthi, siç ka qenë për shembull vitin e kaluar. Njerëzit që kanë qenë të pavaksinuar janë prekur me fruth, derisa popullata tjetër ka qenë imune, pasi kanë qenë të vaksinuar”.

“Besoj se tashmë edhe ata të pavaksinuarit e kanë kryer virusin dhe më pas nuk janë paraqitur raste të reja, pasi që duhet cekur se Kosova ka një mbulim të mirë me imunizim ose vaksinim”, tha Ahmeti.

Sidoqoftë, në disa vende në botë tashmë janë forcuar ligjet për çështjen e vaksinimit. Në Kaliforni, sipas Zërit të Amerikës, nuk lejohet që fëmijët të mos vaksinohen, me përjashtim të rasteve kur ka një arsye shëndetësore.

Në Australi, Qeveria ofron falas vaksina për virusin HPV. Ky virus shkakton kancerin në qafën e mitrës, kanceri i dytë më i përhapur në mbarë botën te gratë.

Derisa në Kosovë vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës nuk është në kalendarin e vaksinimit, andaj edhe gratë nuk e kanë mundësinë të vaksinohen.

Ndryshe, vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti, 50 femra janë prekur me kancer të qafës së mitrës. Ndërkaq, gjatë vitit 2017, kanë qenë 130 raste, të cilat janë paraqitur në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me këtë sëmundje.

Nga aspektin global, kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje që prek rreth 400 mijë gra në vit, kurse 200 mijë të tjera vdesin brenda vitit.

Haradinaj: Askush nuk ka të drejtë të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë, ndërsa ritheksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e pastër dhe kjo do të dëshmohet në të gjitha proceset.

Komentet e kryeministrit Haradinaj, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, i bëri këto komente pasi që disa ish pjesëtarë të asaj ushtrie janë ftuar nga prokuroria e posaçme për krime lufte në Kosovë për t’u intervistuar.

Prokuroria e posaçme nuk ka folur për këto ftesa që janë bërë publike nga avokatët mbrojtës të të ftuarve.

Në mesin e tyre janë Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si komandant Remi, Sami Lushtaku e Sokol Dobruna. Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili është përballur dy herë me Gjykatën për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë dhe është shpallur i pafajshëm, shkroi në facebook se “sakrifica e popullit të Kosovës deri te liria e pavarësia ishte e pashembullt në historinë e re të Evropës. Lufta jonë çlirimtare ishte e drejtë dhe e shenjtë dhe kjo është dëshmuar tashmë. Nga ne, janë kërkuar gjithnjë e më shumë sakrifica e përballje me drejtësinë, ndonëse ne ishim viktima të agresionit. Përgjigjja e qytetarëve të Kosovës dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, filtrave të drejtësisë ndërkombëtare ka qenë e menjëhershme dhe pa hezitim”.

Ai shkroi pos tjerash se “Gjykata Speciale, edhe një dëshmi se sa larg ka shkuar sakrifica jonë për një shtet të së drejtës, është edhe një sfidë në rrugën tonë përpara, të cilën së bashku do ta tejkalojmë dhe nga ajo do të dalim më unikë dhe më të fortë. Siç kemi kaluar shumë vështirësi për të arritur këtu ku jemi, të gjithë duhet ta kuptojnë se si shtet e shoqëri edhe këtë dhembje, pas Tribunalit të Hagës, gjykatave të UNMIK-ut e EULEX-it, do ta kalojmë faqebardhë së bashku, sepse luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën. Askush nuk ka të drejtë ta turpërojë Kosovën dhe të fshihet, të pengojë apo t’i shmanget drejtësisë. Lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe e shenjtë dhe kjo do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë”.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të këtij viti, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni”.

Çfarë e lidhë të arrestuarin për trafik droge me familjen Thaçi?

Enis Qerka është arrestuar nga Policia e Kosovës të shtunën në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë. Ai, së bashku me vëllain e tij, një polic të Kosovës dhe një person tjetër, po dyshohen se janë pjesë e grupit që para një jave u kapën më 113 kilogramë heroinë në Prishtinë. Ndaj tyre gjykata të hënën ka caktuar 1 muaj paraburgim.

Qerka është një mbështetës i madh i familjes Thaçi, dhe në veçanti i presidentit Hashim Thaçi, shkruan Insajderi.

Në media u raportua se Qerka e kishte shef vëllain e presidentit Thaçi, Gani Thaçin, shefin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, duke shërbyer si shofer i tij dhe si zyrtar në BKS.

Ndërkaq Gani Thaçi ka mohuar se Qerka ka qenë shofer i tij.

“Emri im është lakuar sot nëpër portale se gjoja shoferi im është arrestuar, unë dua ta demantoj se Enis Qerka nuk është shoferi im. Enisi është punëtor i Byrosë Kosovare të Sigurimit që 6 vite në pozitën e shefit të logjistikës”, kishte thënë Thaçi për një portal.

“Megjithatë, Enis Qerka nuk është shoferi im”, ishte shprehur ai.

Mirëpo Qerka, bashkë me shefin e tij, Ganiun, në tetor të këtij viti kishin sulmuar dy zyrtarë në Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Në atë kohë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, Qekres i referoheshin si shofer i Ganiut.

Gani Thaçi provon ta lërë në lloç Enis Qerkën, por Prokuroria konfirmon se është shoferi i tij

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, kishte deklaruar se Gani Thaçi bashkë me vozitësin e tij kanë qenë duke u hetuar si të dyshuar për këtë incident.

“Të dyshuarit janë Gani Thaçi dhe shoferi i tij. I dëmtuar është z. Blerim Pushkolli. Rasti është iniciuar si sulm. Ende nuk është marrë vendim për paraburgim”, kishte thënë Berisha.

Se Enis Qerka është një admirues i madh i familjes Thaçi, kjo vërehet nga postimet e tij në Facebook.

Qerka mbështet publikisht në mënyrë të veçantë, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

Në qershor të 2014-ës, Qerka postonte fotografi bashkë me Thaçin.

Për të, Hashim Thaçi është numër një.

 

Ai në zgjedhjet e 2017-ës kishte mbështetur edhe Evgjeni Thaçin, mbesën e presidentit Thaçi.

Ndërkaq, edhepse ekzistojnë fotografi të Qerkës me vëllain e presidentit Hashim Thaçi, Ganiun, në Facebook Qerka momentalisht nuk ka fotografi me të.

Aksioni i së shtunës ishte vazhdim i atij të 2 dhjetorit të këtij viti, ku policia kapi 113 kg drogë në Prishtinë, me ç’rast kishte arrestuar 4 shtetas të Shqipërisë.

Por, ndryshe nga aksioni i 2 dhjetorit, kur Policia e Kosovës kishte thirrur edhe konferencë për media pas arrestimit të katër shtetasve shqiptarë, të njëjtën gjë nuk e kanë bërë kur u kap të shtunën pjesa tjetër e të njëjtit grup, e që në mesin e të arrestuarve ishte edhe Enis Qerka.

Për këtë rast, Policia ka dhënë vetëm një njoftim të shkurtër në raportin e zakonshëm 24 orësh. /Insajderi.com

Qeveria pranon bashkëkryesimin e dialogut me opozitën

Arton Konushevci

Qeveria e Kosovës po i vazhdon përpjekjet për gjetjen e një konsensusi që do t’i siguronte mbështetjen e opozitës për të marrë rolin prijës në dialogun politik me Serbinë. Dialogu në këtë nivel, kryesisht është udhëhequr nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por, së fundmi, zyrtarët e Qeverisë i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për t’i dhënë Qeverisë rol prijës në këtë proces.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka prezantuar në vazhdimësi një pozicion ndryshe me presidentin Hashim Thaçi në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, duke kundërshtuar sidomos idenë për ndryshimin e kufirit, e cila kishte dalë si ide nga dy aktorët kryesorë të bisedimeve në Bruksel, përkatësisht nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria ka propozuar që kryetari i partisë Nisma Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj të marrë rolin e kryesuesit të ekipit negociator.

Endrit Shala, nga Nisma Socialdemokrate, njëherësh ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, i cili është propozuar si udhëheqës i ekipit, ka kërkuar dhe vazhdon të kërkojë unitet nga të gjitha subjektet politike për dialogun me Serbinë.

“Kryetari Limaj që nga emërimi i tij si udhëheqës i delegacionit për negociata me Serbinë, ka shprehur qëndrimin e tij se është i interesuar që pjesë e këtij ekipi të jetë edhe opozita. Përpjekjet e zotit Limaj që në këtë ekip ta ketë edhe opozitën kanë qenë të parreshtura dhe ne shpresojmë që shumë shpjet do të kemi rezultat në këtë aspekt”, tha Shala.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se për çështjen e dialogu nuk duhet të ketë ndarje midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë. Aktualisht, Qeveria Haradinaj po mbështetet nga dy parti opozitare, Partia Socialdemokrate e cila ka 12 deputetë në Kuvend dhe Alternativa për Kosovën, që përfaqësohet nga dy deputetë.

Po ashtu, Haradinaj ka marrë edhe konfirmimin e një pjese të shoqërisë civile për angazhim në dialog, nëse ndërkohë arrihet të krijohet një konsensus i gjerë politik. Por, nisma e Haradinajt, nuk e ka mbështetjen e dy partive tjera opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Këto dy të fundit, po insistojnë që vendi të shkojë në zgjedhje dhe dialogu të udhëhiqet nga institucionet e reja që do të dalin më pastaj.

Zyrtarët e Partisë Socialdemokrate (PSD), thonë se ka kaluar më shumë se një javë kur subjekti i tyre, bashkë me disa të tjera, kanë paraqitur para grupeve parlamentare rezolutën dhe projektligjin për dialogun me Serbinë.

PSD thotë se rezoluta pas votimin në Kuvend, do ta themelojë ekipin shtetëror si organin përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit të dialogut, kurse me Ligjin për dialogun, Kuvendi i Kosovës do të mbajë rolin qendror në procesin e dialogut. Visar Ymeri, nënkryetari i PSD-së ka deklaruar se i gjithë procesi tashmë ka mbetur në Partinë Demokratike të Kosovës për të thënë mendimi e saj përfundimtar.

“Ne kemi qenë gati që nga e marta e kaluar dhe jemi gati edhe sot. Kjo varet tash nga vullneti i partive politike dhe prapë po them të një partie, në këtë rast të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila duhet ta thotë po-në përfundimtar, në mënyrë që të votohen këto dy dokumente”, tha Ymeri.

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti është përfolur se mund të jetë bashkëkryesues i ekipit negociues, së bashku me Fatmir Limajn.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja nuk është pengesë për të shkuar tutje në miratimin e rezolutës edhe ligjit që ka të bëjë me dialogun.

Ai tha se fakti që është pranuar Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti që të jenë bashkëdrejtues, tregon për hapjen e mirëfilltë që ka PDK-ja në raport me këtë temë dhe seriozitetin, të cilin e shtron ajo.

“Do të thotë ne mendojmë që Kosova duhet ta ketë një ekip, i cili përbëhet prej partive të koalicionit në Qeveri, prej kolegëve që vijnë nga opozita dhe kemi siguruar mbështetje të nevojshme. Por, si do të duket rezoluta, si do të duket platforma për negocim, si do duket projektligji apo rregullorja e cila do të duhej ta rregullojë çështjen e ekipit negociator, këto janë çështje që duhet të trajtohen prej grupeve parlamentare”, tha Hoxhaj.

“Çdoherë përmes kompromisit, përmes negocimit, mund të arrihet përafrimi i pozicioneve mes subjekteve politike. Por, ne e kemi një qasje serioze, jemi të vendosur, dhe shpresojmë që gjatë këtyre ditëve ta votojmë ekipin, i cili në bashkëpunim dhe koordinim me presidentin, duhet ta përfaqësojë vendin në Bruksel. Unë mendoj se ky ekip, së bashku me presidentin, do ta krijojë një unitet të brendshëm. Ajo për të cilën ka nevojë Kosova është që ta kemi një unitet të brendshëm”, tha ai.

Hoxhaj tha se qasja e Partisë Demokratike është që mbështetë dialogun dhe siç tha ai, kërkohet shpejtësi në dialog, pasi ai procesi do të jetë i vështirë dhe duhet unitet i brendshëm.

“PDK-ja për temat e karakterit nacional, çdoherë konsultohet, koordinohet me liderët institucionalë. Ne jemi parti e cila ka qëndruar shumë gjatë në pushtet, kushdo që ka qenë në pushtet e ka pasur respektin dhe mbështetjen tonë, siç e ka edhe presidenti Thaçi, dhe unë mendoj se tema e dialogut nuk është temë as Qeverisë, as e Kuvendit, as e presidentit, por është temë e të gjithëve, mbi të gjitha është temë e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha për Radion Evropa e Lirë, se mes grupeve parlamentare kanë një dakordim për rregulloren dhe Ligjin për dialogun, por sipas tij, tashmë ka mbetur që kryetarët e partive politike të pajtohen dhe të marrin një vendim të shpejt.

Sherifi thekson po ashtu se Partia Demokratike e Kosovës, ka disa kërkesa të veçanta sa i takon Ligjit dhe kompetencave për presidentin.

“Ajo që unë di është se PDK-ja ka rezervat e saja sa i takon ligjit, sidomos ligjit ku bëhet fjalë për kompetencat e presidentit në ketë proces. Pra, ata duan një rol më të madh të presidentit në krejt këtë proces”, tha Sherifi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë Kosovës, Ahmet Isufi, tha se ka përparime në drejtim të miratimit të rezolutës dhe Ligjit për dialogun.

“Ka mbetur që Partia Demokratike e Kosovës me Partinë Socialdemokrate ta shikojnë çështjen në nivel liderësh tani, sepse grupet parlamentare kanë kryer punën e vet, ndërsa ka mbetur në nivelin e liderëve të rregullohet”, tha Isufi.

Në projekt-rezolutën mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, thuhet se delegacioni shtetëror do të përbëhet nga përfaqësues politikë të votuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Delegacioni shtetëror sipas rezolutës, ka dy bashkëdrejtues që vijnë nga radhët e opozitës dhe pushtetit. Të dy bashkëdrejtuesit do të duhej të votoheshin nga Kuvendi, së bashku me delegacionin shtetëror.

Po ashtu, duke synuar përfaqësimin sa më të gjerë dhe të barabartë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, sipas rezolutës, do që duhej që një përfaqësues të jetë nga shoqëria civile, si anëtar i rregullt i delegacionit shtetëror. Edhe ky anëtar, do të duhej të merrte votat nga Kuvendi i Kosovës, në kuadër të votimit të platformës për dialog. Delegacioni shtetëror është paraparë që të ketë 11 anëtarë.

Delegacioni i Kosovës vizitë në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq

GJENEVË – Një Delegacion i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Jahja Lluka, Këshilltar i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Ibrahim Makolli, Kryetar i Delegacionit për bisedime me Serbinë për çështjen e të zhdukurve, Arsim Gërxhaliu, Drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Kushtrim Gara, Udhëheqës i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të shoqëruar edhe nga Benjamin Nikoliqi, Konsull në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, ka qëndruar në Gjenevë, ku krahas konferencës të mbajtur për mediat zvicerane dhe ndërkombëtare për çështjen e personave të zhdukur, kanë zhvilluar edhe një vizitë në Zyrën Qendrore të Komitetit Ndërkombëtat të Kryqit të Kuq.

Delegacioni êshtë pritur nga Drejtori i KNKK-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Patrick Vial, dhe Koordinator i Operacioneve për Evropë dhe Azi Qendrore, Nicolas Fleury. Më këtë rast, Këshilltari i Kryeministrit, i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, falenderoi Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, për përkrahjen e vazhdueshme në procesin e ndricimit të fatit të personave të zhdukur. Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e intesifikimit të bashkëpunimit dhe rritjes së përpjekjeve të përbashkëta për më shumë rezultate në këtë proces të ndjeshëm por edhe më rëndësi jetike për familjet e personave të zhdukur dhe mbarë qytetarët e Kosovës. Vizita në Gjenevë e Delegacionit të Republikës së Kosovës është duke u zhvilluar me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Prishtina stoliset me flamuj amerikanë

Sheshet kryesore të Prishtinës janë stolisur me flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në shenjë falënderimi për një grant të ndarë për Kosovën nga bordi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

MCC ka njoftuar se i ka dhënë Kosovës, Marrëveshjen Kompakt, përmes së cilës, Kosova do të marrë dhjetëra milionë dollarë shtesë për investime strategjike infrastrukturore, veçmas në sektorin e energjisë.

“Qeveria i ka vendosur flamujt. Dje kemi marrë lajmin për MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit), që i ka ndarë edhe miliona euro për Kosovën, investime në infrastrukturë dhe energji, dhe si shenjë falënderimi për këtë lajm dhe partneritet i kemi vendosur flamujt”, tha për Radion Evropa e Lirë, Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës.

Ky grant i ri i marrë nga MCC, bazohet në grantin e nënshkruar prej 49 milionë dollarësh nga Marrëveshja e mëhershme e Pragut.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka falënderuar këtë mekanizëm për këtë grant dhe ka thënë se “viti 2018 po na kurorëzohet me ngjyrat e shenjta të flamurit amerikan dhe aleancës se bekuar të Kosovës me SHBA”.

Korporata e Sfidave të Mileniumit është një degë e Qeverisë amerikane që sjell investime në fusha kritike për krijimin e vendeve të reja të punës.

Fehmi Agani për çështjen e ndarjes: Kosova është një dhe e pandashme – Nga AGIM HYSENI

 

Derisa Serbia të mos gjejë mbështetje në ndonjë shtresë shqiptare, synimet e saj në lidhje me Kosovën janë të dështuara dhe me plot të drejtë sot mund të themi se Serbia luftën në Kosovë e ka humbur” (Agani, 1994).

Nga periudha e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore, fillojnë dhe zhvillohen idetë, projektet dhe praktikat për copëtimin e copave të trojeve shqiptare, përfshirë edhe vetë Shqipërinë. Trojet e banuara me shumicë popullatë autoktone shqiptare, u ndanë  nga aneksimet e rianeksimet klasike të dhunshme ushtarake të shteteve përkatëse apo aleancave në mes tyre (ish-MSKS; ish-RSFJ).

“Ndarja e shqiptarëve me krijimin e Shqipërisë në kufijtë e sotëm, ishte një tragjedi e madhe e popullit tonë e cila pamundësoi përparimin në zhvillimin ekonomik, politik dhe kulturor…” theksonte Fehmi Agani (1992). Tragjeditë e mëdha, është thënë, dalin nga portat e kombeve të vogla. Shqiptarët, paraqesin një fenomen se si mbijetuan.

Idetë për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, që nga periudha e okupimit serb e deri në fund të nëntëdhjetave, kanë ardhur nga intelektualët serbë të proviniencës raciste, pavarësisht rreshtimeve të tyre politike. Me pushtimin dhe aneksimin e Kosovës, Serbia “ka zhvilluar një represion të pandërprerë, të gjitha këto në një funksion themelor me qëllim të arritjes së realizimit të atij programi që në Serbi u themelua në vitin 1910, program i ashtuquajtur për Kosovë, i cili parashihte që një prej objektivave kryesore të jetë ndërrimi i strukturës etnike të Kosovës…me dëbimin e shqiptarëve…” (Agani,1994). Kjo ngase ideja e doktrinës së shenjtë serbe, përkatësisht ideja për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve duke shfarosur shqiptarët përmes terrorit sistematik shtetëror serb dhe institucionalizimit të kolonizimit me serbë e malazezë nuk u realizua në plotni. Zgjidhje përfundimtare nënkuptonte dhe nënkupton: Kosova pa shqiptarë. Prandaj Kosova, me shqiptarët që mbijetuan terrorin shtetëror serb dhe mbetën në vatrat e tyre, për ta  u shndërrua në problem në rritje.

Teza për ndarjen e Kosovës është tezë serbe. ‘Babai i nacionalizmit serb’ Dobrica Qosiq, shkrimtar e politikan, është autori i idesë për ndarjen e Kosovës Dobrica Qosiq njihej si  ‘Ideolog i pastrimit etnik’ siq do e quaj Jasques Delors, kryetari i komisionit të Bashkimit Evropian. Idenë e vet për ndarjen e ka paraqitur në Mbledhje të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë që me 1968. Me rastin e Demonstratave të  shqiptarëve e viteve 80 për Republikën e Kosovës, do të shënojë në ditarin e vet: ”Kosova për një ose dy dekada do të bëhet një shtet shqiptar. Ajo duhet të ndahet me Shqiptarët”. Qosiqi me 1992 i ka propozuar ndarjen e Kosovës edhe Warren Zimmerman-it, ambasadorit të atëhershëm amerikan ne Beograd, që një pjesë e Kosovës, pjesa lindore, të mbetet në Serbi. Në këtë kohë Ambasadori Amerikan Zimmerman publikisht e gjykon raportin kolonial të Serbisë në Kosovë dhe deklaron se shkelja e të drejtave të njeriut në Kosovë nuk mund të haset në Evropë. Një qëndrim i tillë kolonialist ishte edhe ideja për ndarje të Kosovës. Po më 1992, si ka publikuar një gazetë italiane, propozimi i Qosiqit ka qenë pak më ambicioz: që pjesa qendrore dhe lindore e Kosovës t’i mbetet Sërbisë, ndërsa pjesa tjetër Shqiptarëve.

Nga vitet e ’90-ta, ideja e ndarjes së Kosovës do aktualizohet edhe nga vendet mike të Beogradit zyrtar dhe asokohe të Qosiqit si kryetar i ish-Jugosllavisë së mbetur (1992/’93). Kështu, nga fundi i vitit 1992, aso kohe kryeministri i Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, ka shtruar po ashtu një plan për ndarjen e  Kosovës, që kanë provuar inicimin, bindjen dhe arritjen e një marrëveshje eventuale për ndarjen e Kosovës, që do të nënkuptonte pëlqim për ndarjen e Kosovës në mes të Shqipërisë dhe të Serbisë. Sipas vet Qosiqit Greqia ka qenë “më e interesuara për marrëdhëniet serbo-shqiptare sepse çështja shqiptare ishte edhe çështje greke”. Projekti i ndarjes nga Qosiqi ju paraqitet në Gjenevë edhe Sajrus Vensit dhe Robert Ovenit, të cilët e refuzojnë nga frika e ndarjes së  BeH dhe Maqedonisë. Në Gjenevë,  Sajrus Vensi e këshillon Qosiqin: “Mos e shtroni çështjen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme”.

Në një pyetje lidhur me takimin e një grupi, me gjasë, të kolonistëve e pushtetarëve serb nga Kosova, “i  grupit të delegacionit nga Kosmeti me Dobrica Qosiqin mbi njëfarë ndarje të Kosovë-Metohisë” siç është shtruar e  drejtuar nga gazeta Borba e Beogradit, në Janar të ’93-shit, Agani i përgjigjet: ”Kemi dëgjuar dhe përmendet ndarja e Kosovës. E dimë që ideja e tillë ekziston, por kjo për ne është absolutisht e papranueshme. Kosova është edhe në pikëpamje gjeografike, edhe ekonomike dhe shoqërore dhe në çdo pikëpamje tjetër, një tërësi dhe me ndarjen e saj nuk mund të arrihet asnjë zgjidhje” (1993).

Në rrethana  të krizës dhe shpërbërjes së ish-RSFJ-së, kësaj ‘Perandorie të pabarazisë’ siç e quante Agani, si rezultat  i presionit i brendshëm përmes organizimit të lëvizjes paqësore aktive në shkallë vendi, qëndresës e vendosmërisë së  shqiptarëve, kompaktësisë së bindjeve dhe e veprimit të tyre, si edhe presionet e opinionit e shteteve demokratike, veçmas të Presidentit të SHBA-së, Kosova arriti të zhvillojë një lëvizje paqësore aktive masive dhe të fitojë përkrahjen e botës demokratike që deri atëherë pak dinte, nëse dinte për vendin tonë.

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush në përcaktimin e vijave të kuqe për Sërbinë ndaj Kosovës, në letrën e tij të vitit 1992, atëherë presidentit të atëhershëm të Serbisë Slobodan Millosheviç, e paralajmëroi atë të mos shkaktojë me veprimet e veta  një konflikt në Kosovë, ende pjesë nën okupimin e Serbisë, pas shkatërrimit të Jugosllavisë. “Në rast të konfliktit në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi.” (Presidenti George H.W. Bush në letrën drejtuar Sllobodan Millosheviçit, atëherë President i Sërbisë, 25 dhjetor 1992). Ky qëndrim është konfirmuar pas më pak se dy muajve edhe nga Sekretari Shtetërori i ShBA-së, Warren Christopher: “Ne mbetemi të përgatitur për t’u përgjigjur kundër serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimi serb” (Sekretari i Shtetit, Warren Christopher, 13 shkurt 1993).

Presidenti i SHBA-së George H.W. Bush, vdiq dhe u varros javën e kaluar, me nderimet më të larta shtetërore në SHBA. Në Kosovë u mbajt ditë zie dhe përherë do kujtohet si hero dhe figurë historike me rëndësi kombëtare në vendin tonë dhe ndër shqiptarë. Një shenjë e vogël e respektit të madh u shënua nga mësuesit në të gjithë vendin në Kosovë të cilët i kushtuan orën e parë të mësimit ish-Presidentit Bush të SHBA-ve për kontributin e tij për lirinë e Kosovës dhe marrëdhënieve midis dy vendeve.

Rezultanta e presionit të brendshëm dhe presionit ndërkombëtar të vendeve demokratike me në krye SHBA-të do të bëjnë të tejkalohet bllokada e Kosovës.

“…Duhet t’i jemi mirënjohës asaj pjese të botës e cila na ka sugjeruar të evitojmë luftën për të cilën nuk kemi qenë të përgatitur dhe e cila do të ishte vetëm një aventurë” duke patur parasysh rrethanat, pasojat e mundshme tragjike dhe shembullin e luftës në Bosnje me 200.000 të vrarë e me më shumë se 1.000.000 të shpërngulur.

“Liria është punë shumë e madhe, ka kuptim për të gjallët e jo për të tjerët dhe përderisa  të ketë mundësi njeriu të arrijë diçka pa humbje njerëzore, duhet të provojë vazhdimisht.” Në këto rrethana gjithnjë e më të rënduara lëvizja e shqiptarëve “ka arritur të legjitimojë përfaqësimin politik të interesave të shqiptarëve” (Agani, 1996).

Kosova është e pandashme (1994)

Kosova është e pandashme, është qëndrim i bazuar në të drejtën e patjetërsueshme për vetëvendosje që e shpjegon qartë Profesor Fehmi Agani, sa i përket mundësisë së ndarjes së Kosovës. Argumenton në mënyrë analitike, shpjegon dhe parashikon se: “projektet për ndarjen e Kosovës janë fare të papranueshme. Për shkak të ndërlidhjeve të veta etnike, ekonomike dhe të ndërlidhjeve të tjera, Kosova është e pandashme. Në Mbretërinë Jugosllave Kosova ishte e ndarë në tri banovina, kurse  gjatë Luftës së Dytë Botërore në tri zona të okupuara (të Italisë,  të Gjermanisë dhe të Bullgarisë), megjithatë Kosova ka bërë jetë si një tërësi ekonomike,  shoqërore, madje edhe politike. Fundja, nuk është e mundur ndarja e Kosovës pa zhvendosjen e disa qindra mijë njerëzish. Kush do ta dëshironte apo mund ta pranonte një gjë të tillë?” (Agani, 1994).

Në Kosovën e kohës, pavarësisht peshës së presionit serb nuk ka pasur kurrfarë shtresimesh karshi çështjeve kryesore që kanë pasur të bëjnë me statusin e Kosovës, madje edhe për mënyrën e realizimit të tij. Rreth kësaj çështje në të gjitha partitë politike dhe në mbarë opinionin shqiptar ekzistonte një pajtim i plotë.

Qëndrimet e kryetarit të Republikës, Dr. Rugova, dhe të  kryeministrit “ishin caktuar në mënyrë obligative me Referendumin e vitit 1991 për Kosovën sovrane dhe të pavarur. Përfundimet e referendumit përcaktojnë autorizimet e tyre si dhe përcaktimet e tyre personale rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, nënvizonte Agani interpretimin e tij kompetent dhe te përgjegjshëm të autorizimeve obligative të autoriteteve  institucionale te Republikës, pavarësisht nga shpërputhjet eventuale që mund të jenë rezultat i pasaktësive të ndonjë deklarate ose të pasaktësisë së transmetimit të saj.

Qëndrimi i njëjtë i vendosur do të mbahet deri në fund të jetës aq të angazhuar publike dhe do  përsëritet edhe në intervistën e Aganit dhënë Nasa Borba-s më 1998, një vit para çlirimit të vendit: “ Së pari mendoj se Kosova nuk është e mundur të ndahet. Kosova… e paraluftës shtrihej në tri banovina, gjatë okupimit në tri zona okupuese, ndërkaq, megjithatë, ka frymuar me një jetë të përbashkët. Ishte njësi relativisht organike. Së dyti, ju në Kosovë nuk keni komunë ku popullsia serbe është shumicë dhe, për këtë arsye, ndarja do të thotë transferim i mijëra njerëzve andej e këndej. Nuk ka “ transferim human”. Ta përjashtosh dikë nga shtëpia e tij, nga mjedisi i tij, është gjëja më johumane.”

Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin” (1996).

Në kohëra të paparashikueshme të parashikohen saktë rrjedhat e ngjarjeve, madje të ndikojnë në to në rrjedhat e duhura, është e mundur vetëm nga subjekte aktive dhe studiues e njohës të thellë te realiteti kompleks shoqëror të ndarë në ‘ne’ dhe ‘ata’, në ‘miq’  dhe ‘armiq’, me të gjitha karakteristikat shoqëruese. Gjithnjë në interes të mbrojtjes së të drejtave kolektive dhe individuale njerëzore, pavarësisht origjinës. Në një kohë si kjo, Agani shpjegonte se nuk shihte mundësinë për realizimin e idesë së protektoratit për arsye se “në atë moment që Serbia do ta pranonte protektoratin njëherit do të pranonte se ka marrë fund puna e Kosovës”, dhe vazhdon se Serbia “më parë do të pranonte ndarjen territoriale të Kosovës sesa protektoratin. Por, theksimi i kërkimit të një protektorati ka domethënie ngase  e demonstron përparësinë tonë. Si i këtillë vërtet është shumë i mirë” (Agani, 1996).

Për këto zhvillime i pranojnë ‘gabimet’ e veta vet autorët e Memorandumit serb që inicuan  krimet në ish-RSFJ-në, të Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencës dhe të Arteve ku thuhet se është gabim pse është lejuar  që edhe shqiptarët në Kosovë të quhen Albanci. Pra është fjala për tendencën paramenduar që të krijohet përshtypja se ‘këta’, shqiptarët në Kosovë janë diç tjetër, ndërsa ‘ata’ shqiptarët në Shqipëri janë diçka tjetër; Për krijimin dhe përhapjen përmes termit ‘Shiptar’ të stereotipit racist, ekstrem negativ për shqiptarët.

Pavarësisht oscilimeve të qëndrimeve politike rreth statusit të Kosovës , “Shteti shqiptar dhe vetë doktor Sali Berisha, në të gjitha instancat e ka shtruar çështjen e Kosovës”, nënvizon Agani, “si një prej objektivave kryesore të politikës së Shqipërisë,” i përkushtuar për ta mbështetur Kosovën e për të kundërshtuar të gjitha opsionet për ndarjen e saj.

Kërkesa legjitime për subjektivitetin e shqiptarëve dhe për barazi, si një koncept politik që u shfaq dhe u  artikulua qartë në diskutimet kushtetuese dhe në demonstratat e vitit 1968 për Republikën e Kosovës, që zhvillohet në demonstratat masive më 1981, që vazhdoi me greva e demonstrata kundër suspendimit antikushtetues të Kushtetutës e institucioneve legjitime të Kosovës, u kodifikua si kërkesë gjithëpopullore  dhe u shndërrua në një platformë politike më 1989-1990 kur fillon lëvizja paqësore aktive në shkallë vendi. Këto kërkesa legjitime të shqiptarëve nga forcat e  dominimit e të racizmit institucional serb u refuzuan dhe u ndoqën gjoja si kërkesa për Shqipëri të Madhe. “Pasi s’ishin argumentet, arsyeja, e drejta që të mund t’u kundërviheshin kërkesave normale e legjitime të shqiptarëve, këto kërkesa duhej të pamundësoheshin, madje jo vetëm realizimi, por edhe shprehja, paraqitja e tyre. Kërkesat e shqiptarëve duhej të ilegalizoheshin, t’u merrej e drejta e shfaqjes publike. Dhe për këtë qëllim përdorej etiketa: Shqipëria e Madhe!” (Agani, 1991).

Për aq sa kërkesat legjitime e normale të shqiptarëve  për të drejta e  për barazi do shtrohen për zgjidhje e do shënojnë ndonjë hap përpara (Universitetit, Kushtetuta e vitit ’74…) në një  progresion aritmetik, të drejtë, hap pas hapi, për aq do të shpeshtohet përsëritja e sintagmës ‘Shqipëria e Madhe’ nga Serbia, me një progresion gjeometrik, si  Hitleri që ”akuzon armiqtë e tij pikërisht për ato që haptas i pranon si qëllime të veta! (E.Fromm), që nga ndryshimi i strukturës etnike përmes terrorit shtetëror ushtarak, policor e paramilitar, përmes dëbimit e modelit të kopjuar nga Hitleri i ‘zgjidhjes përfundimtare te çështjes shqiptare’ të Çubrilloviqit e deri te gjenocidi e shfarosja,  kampet e përqendrimit dhe dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e veta. Si në vendin e origjinës Ideologjia nacional-socialiste si edhe ajo fashiste serbe “shndërrohej lehtë dhe shpesh nga vetëdija e rrejshme në rrenë të vetëdijshme, ishte demagogji e lakuriqur, proklamim i gënjeshtrave” (Agani); sepse vazhdojnë të ju humbin projektet e bazuara në gjenocid shtetëror, e mbi këtë bazë të ju rrezikohen privilegjet kolonialiste të fituara ndaj të tjerëve, dhe  për ta humbja e privilegjeve  vazhdon të përjetohet, vajtohet e të paraqitet si humbje e barazisë me të tjerët. Serbia për aq sa ka dështuar për zmadhimin dhe ruajtjen e ‘Serbisë së Madhe’ për aq do të vazhdojë të luajë rolin e viktimës së rrezikuar nga “Shqipëria e Madhe”—sintagmë e krijuar nga okupatori dhe kuislingët e tyre, “Bullgaria e Madhe”, “Kroacia e Madhe”…

“S’ka dyshim se politika e sotme serbe ndaj shqiptarëve  është një neoqubrilloviqizëm, një variant i ri, por jo edhe i moderuar, i koncepteve të dëbimit ose të reduktimit maksimal të numrit të shqiptarëve në këto troje”, shpjegon Agani në një nga intervistat e shumta përmbajtjesore e të guximshme të kohës.

Me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë shqiptarët janë në një situatë mjaft të vështirë, bile, mund të themi se janë në rrezik, pasi tash ndahen të Kosovës dhe shqiptarë të Maqedonisë – shpjegonte Agani në fillim të vitit 1994.”Ndërkaq, sa i përket  pozitës së shqiptarëve në Preshevë dhe Bujanovc dhe shqiptarëve në Mal të Zi… “Është një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në cdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor një dukuri e çuditshme se si këto troje janë ndarë nga Kosova, pasi shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit në çdo pikëpamje janë të lidhur me Kosovën, edhe si territor…”. Shqiptarëve të Preshevës dhe Bujanovcit ishin në pozitë të diskriminuar. Ngjashëm ishin edhe “shqiptarëve të Malit të Zi që momentalisht  janë mjaft të diskriminuar duhet t’u njihet autonomia” (1994).

Fehmi Agani, mendimtari më i thellë i angazhuar për pavarësinë e Kosovës, profesori i njohur i shumicës së udhëheqësve shqiptarë të lëvizjes politike për barazi dhe pavarësi në Kosovë e ish-jugosllaviku luajti rolin integrues të pa zëvendësueshëm deri më sot,  kryediplomati ynë që gëzonte prestigjin dhe respektin edhe të krye-diplomatëve botërorë si Richard Holbrook e Christofer Hill, studiuesi që çështjen e të drejtës së Kosovës për pavarësi si kusht të çlirimit kombëtar e ngriti në nivel shkencor,  për Kosovën si një dhe të pandarë, bëri miq e përkrahës të shumtë si në mesin e shqiptarëve ashtu edhe në botën demokratike.

Në Konferencën e Rambujes u shqua edhe për angazhimin për gjetjen e zgjidhjes më të mirë të mundshme në rrethanat e luftës, në interes të një Kosove të tërë dhe të pavarur.

Për angazhimet në këtë Konferencë, gjatë bisedës, Profesor Agani pat veçuar rolin konstruktiv veçmas të pjesëmarrësve Jakup Krasniqi, Veton Surroi dhe David Philips, që mbajnë qëndrimet e tyre parimore, të përgjegjshme e të qarta edhe kundër idesë së korrigjimit të kufijve: të ndarjes apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndarja e Kosovës kundërshtohet edhe nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) Marrëveshja e Brukselit (19 Prill 2013), si dhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës (neni 1, alinete 1 dhe 3).

Sokol Dobruna ftohet nga Gjykata Speciale

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, ka folur rreth themelimit të Gjykatës Speciale që pretendon të hetojë krimet e supozuara gjatë dhe pasluftës në Kosovë.

Ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna është ftuar nga Gjykata Speciale që të paraqitet në zyrat e saj më datë 12 të këtij muaji.

Ai nuk e di në çfarë roli është ftuar, si dëshmitar apo i dyshuar.

‘Më 12 ma ka caktu terminin kur duhet me u paraqit. Më është paraqitur një person që është prezantuar si slloven dhe punëtor i Prokuririsë së Gjykatës Speciale. Unë supozoj se mund të jem qoftë dëshmitar qoftë i akuzum, por nuk e di pse duhet me qenë”, tha ai për Pressing me Leonard Kerqukin në T7.

Tha se UÇK nuk ka kryer krime, por se ai do të bashkëpunoj me këtë Gjykatë.

“Jo nuk ka kryer krime. Kuptohet se do të bashkëpunoj, por në çfarë rrafshi në çfarë aspekti nuk e di”, tha ai.

Gjeneral Ramadan Qehaja-Komandant i Ushtrisë – Nga Gani Qarri

Fatbardhësisht njëjtë si për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, ashtu edhe për formimin e ushtrisë sonë, vendi ynë mori mbështetjen më të fuqishme dhe vendimtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa ajo që gëzon pafundësisht shqiptarët kësaj radhe në gjithë vendin, është fakti se SHBA, për shkak të tradhtive të pareshtura të tij, ndaj shtetit tonë të brishtë, përjashtuan tërësisht kuislingun Hashim Thaçi nga të gjitha procedurat e formimit të Ushtrisë së Kosovës!

Ambasadori i ri i sapoardhur amerikan në Kosovë, z.Philip Kosnett,poashtu ritheksoi edhe një herë në mënyrën më domethënëse se Kosova është dhe vazhdon të mbetet ndër prioritetet më të larta në politikën e jashtme amerikane, kurse evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura tha se është hap pozitiv dhe mese i natyrshëm që Kosova si vend sovran dhe i pavarur, të ketë ushtrinë e vet dhe zotërojë garancitë e nevojshme vetëmbrojtëse.

Megjithatë, kuislingut Hashim Thaçi, duket sikur nuk i mjafton as një shekull i tërë robërie dhe okupimi afro 100 vjeçar serb, shtypja e dëbimi permanent i shqiptarëve nga Serbia, dhjetëra mijëra të dhunuara, mijëra të burgosur, të vrarë e të masakruar, 1600 të kidnapuar, që ende as sot e kësaj dite, ky shtet agresor nuk ia kthen vendit tonë, dhe pas çlirimit të Kosovës nga SHBA dhe NATO, njohjes nga 116 vende ndërkombëtare, përveç mbulimit të pavarësisë së shtetit me Fusnotë*, tani kërkon edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për copëtimin e Kosovës me armiqtë si Serbia, duke shkelur kështu mbi gjakun e mijëra të rënëve ndër shekuj, të cilët u flijuan për lirinë dhe çlirimin e këtij vendi.

Ndaj me tu vënë në dyshim ideja për ndryshimin e kufijve, ai vrapoi në takim privat me Toni Blerin tash këshilltar personal i Aleksandër Vuçiqit, që të bëjë sa më parë koordinimin e veprimeve më të reja anti-Kosovë me kryetarin serb për ndarjen e Kosovës, në mënyrë që pas dorëheqjes së kryetarëve serb të komunave në veri të vendit, me tu votuar ushtria e Kosovës, të nxitet nga Serbia rebelimi edhe me detyrim i popullatës serbe në veri, me qëllim të çuarjes së tyre në kryengritje me ndihmën e BIA-s dhe agjentëve të Serbisë, të cilët që nga paslufta, janë aktiv në këtë pjesë të vendit.

Dhe kur kanë ngelur vetëm 4-5 ditë nga data e përcaktuar për votimin e transformimit të FSK-s, në Ushtri të Kosovës,ka zëra se Beogradi zyrtar me në krye pasardhësin e kriminelit Millosheviq, Aleksandër Vuçiqin do të shfrytëzoj amullin që mund të krijohet me burgosjen apo ftesat për intervistim të komandantëve të UÇK-s, nga Gjykata Speciale dhe inskenojnë formimin e të ashtuquajturës “Armatë e veriut” me në krye ish kapobandën e rojeve të urës Zvonko Veselinoviq dhe bashkëortakun si dhe kumbarën e tij nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojiçiq, kinse për të mbrojtur serbët e “frikësuar”, “çliruar” veriun nga shqiptarët  dhe bashkuar këtë pjesë të vendit tonë Serbisë.

 

Si Zvonko Veselinoviq, biznesmen kontrovers nga veriu i Kosovës, ashtu edhe kumbara i tij Milan Radoiçiq, nënkryetar aktual i Listës Serbe,të cilët konsiderohen lojtarët kryesorë edhe politikë në veriun e vendit, u gjykuan disa herë për krime të ndryshme.

Zvonko Veselinoviq u akuzua -që nga shitja e drogës, falsifikimi i dokumenteve, vjedhja e makinave, e deri te shpërdorimi i detyrës, por nuk u dënua asnjëherë. Ai u bë i njohur edhe për publikun e gjerë shqiptar kur nisi të organizonte barrikadat në vendkalimet kufitare në veri të Kosovës në vitin 2011.

Në dosjet e policisë që nga viti 2001,Veselinoviq akuzohej për krim të organizuar dhe si udhëheqës i grupit që merrej me vjedhje të rënda, grabitjen dhe konfiskimin e automjeteve jo vetëm në veri por edhe në jug të Ibrit,deri në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës, duke bartur ato me ndihmën e bashkëpuntorëve shqiptar, ilegalisht në pjesën veriore të Kosovës dhe në Serbi.

Megjithëse dokumentohet se në vitin 2003 Veselinoviq u kap pranë Novi Pazarit me tre kilogram drogë të llojit heroinë dhe u arrestua në flagrancë nga policia, vetëm pse në gjyq deklaroi kinse drogën e kishte inskenuar vet policia, ai u lirua dhe nuk u dënua më kurrë.

Më 2012 Veselinoviq dhe Radoiçiq u akuzuan se kamionët e marrë me qira (lising) pas kalimit të afatit, në vend se ti kthenin në firmën që i kishin huazuar, ata i transferuan për përdorim ilegal në Kosovë, megjithatë në gjykimin e mbajtur më 2016, që të dy sërish u shpallën të pa fajshëm, përderisa një bashkëpunëtorë i tyre me rëndësi dytësore u dënua me tri vite burg.

Në tetor të vitit të kaluar vet Oliver Ivanoviqi në një intervistë të dhënë për media pati deklaruar hapur se Milan Radoiçiqi ishte një kriminel i lidhur ngushtë me partinë e Aleksandër Vuçiqit e cila mbanë pushtetin në Serbi dhe ka caktuar Radoiçiqin përgjegjës kryesor për Veriun e Kosovës.

Ndërsa në fillim të këtij viti u tronditë i gjithë opinioni jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, me të kuptuar se pikërisht Milan Radoiçiqi mbahej përgjegjësi kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit më 16 janar 2018 në Mitrovicë.

Në kërkim të Zvonko Veselinoviqit më herët, kurse tani edhe të Milan Radoiçiqit është vën edhe policia e Kosovës, por përderisa Veselinoviq ka kohë që strehohet në Serbi, së fundmi edhe Radoiçiqi arriti të ikte po atje, prej nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq po planifikon që me tu votuar transformimi i FSK-s në Ushtri, ai ti kthejë atë dhe Zvonko Veselinoviqin si udhëheqës formal të kryengritjes së serbëve të veriut, kurse luftën do ta udhëheqin oficerët e ushtrisë dhe policisë serbe,për aneksimin dhe okupimin e kësaj pjese të Kosovës nga Serbia.

Ky do të ishte aduti i parë për intervenim, fillimisht me mercenar serb dhe rus, ku nën petkun e vullnetarëve,do të merrnin pjesë edhe njësi elite të Serbisë, të udhëhequr nga oficerë në “pensionim”, ose të lajmëruar si të tillë, por me detyra ekskluzive për të krijuar terrenin e përshtatshëm në Kosovë, që në momentin e parë të mundshëm,Serbia të vërshoi edhe me ushtri të rregullt dhe të aneksoi këtë pjesë të vendit tonë, e nëse ky shtet agresor nuk e arrin ta realizojë këtë, atëherë me njerëz të tillë, të krijojë dhe mbajë gjendjen kaotike sa më gjatë, në mënyrë që ta lodhë Kosovën dhe ajo të heq dorë vet prej një pjese të saj.

Në veri të vendit tonë, siç dihet tanimë botërisht jo vetëm nga shqiptarët,por edhe nga vet ndërkombëtarët, ka kohë që ekzistojnë dhe manovrojnë disa grupe të rrezkshme kriminale të nxitura dhe themeluara nga Serbia, madje ndonjëra si organizata paramilitare “Srpskicast” (nderi serb),nga viti 2014 e këtej, është e regjistruar edhe si OJQ “humanitare”!.

Veprimi i grupimeve të tilla kriminale, përbënë jo vetëm kërcënim serioz për sigurinë, por edhe rrezik të njëmendtë dhe të paprecedent për Kosovën.

Organizata “Nderi Serb”, (“srbskicast”) udhëhequr nga krimineli Bojan Stojkoviq mercenar i luftës së Krimes, vitet e fundit është parë disa herë duke mbajtur trajnime ushtarake edhe në malet e veriut të Kosovës, e cila bashkpunon ngushtë me organizatën “Ujqërit e natës” në krye me kriminelin Dejan Vujiq, njeri i afërt jo vetëm me ish presidentin Nikoliq por edhe me vet Aleksandër Vuçiqin.

Në veri vepron po ashtu edhe organizata ruso-serbe, e ashtuquajtur “Kosovski Front” e formuar një ditë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e cila udhëheqet nga një ish-luftëtar rus,me emrin Aleksandër Kravçenko, pjesëmarrës luftërash edhe në ish-Jugosllavi që nga viti 1991.
Organizata tjetër paramilitare serbe që përbën rrezik permanent për Kosovën është e ashtuquajtura‘’Patriotic Front’’ e themeluar nga ish-udhëheqës të ushtrisë, ish-ushtarë dhe ish-oficerë të policisë së Serbisë dhe aktive që nga viti 2007 në Kosovë, pa harruar këtu organizatën kryesore terroriste të ashtuquajtur “Armata e Veriut” në të cilën Aleksandër Vuçiq mendon ti inkorporojë të gjitha grupimet e lartcekura paramilitare,mercenare e terroriste dhe nën emrin “Armata e Veriut”, të nisë kryengritjen në Veri të vendit tonë.

Ndaj do të ishte mirë që në krye të Ushtrisë së Kosovës, me vendim të menjëhershëm të vendosej gjeneral Ramadan Qehaja. Ai jo vetëm se është kuadri më i përgatitur ushtarak që kemi, por edhe konsiderohet si gjeneral “Bobetko” i Kosovës, i cili njëjtë si oficeri i mirënjohur kroat që diti ta mbrojë Dubrovnikun nga barbarët serb dhe çlirojë pikat më vitale të Dalmacisë dhe Kroacisë jugperëndimore nga terroristët e Serbisë, edhe gjeneral Qehaja, do të dijë të mbrojë nga agresori asetet tona kryesore në Veri,pikat kufitare, Ujmanin, Trepçën,Mitrovicën dhe gjithë territorin e Republikës në atë pjesë të vendit, duke përdor mjetet e duhura dhe implementuar masat e nevojshme ndaj mercenarëve dhe kriminelëve e terroristëve të nxitur dhe grumbulluar nga Serbia, për të organizuar “luftë”, “kryengritje” apo çfarëdo lloj problemi të natyrave të ngjashme në veri të Kosovës.

Qeveria po shqyrton vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë

Luljeta Krasniqi – Veseli

Qeveria e Kosovës po paralajmëron masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar se cilat do të jenë, do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet e importuara me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ndonëse nuk janë ende definitive, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masa reciprociteti ndaj Serbisë të vendosë ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.

Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk është vendosur për ndonjë masë të re, por, sipas tij, është diskutuar për këto masa.

“Në mbledhjen e Qeverisë që është nesër (të martën) nuk ka të paraparë një gjë të tillë vetëm nëse vendoset diçka si e jashtëzakonshëm. Është fjala për tri masa që janë të një natyre të ngjashme me 100 për qindëshin e që lidhen me pranimin ose mos pranimin e dokumenteve, të njëjta dokumente që Serbia nuk i njeh nga Kosova, pastaj si masë tjetër është ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë, e cila aplikohet për veturat e qytetarëve nga Kosova si dhe një masë ka të bëjë me regjistrimin e kompanive të huaja që furnizojnë Kosovën nga Serbia”, sqaron Shatri.

Qeveria e Kosovës me arsyetimin për mbrojtje të produkteve vendore vendosi që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë. Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Ndërkohë, mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA.

Por Qeveria e Kosovës, të paktën deri tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi dhe se parasheh masa të tjera për Serbinë.

Përfaqësues të bizneseve të cilët dolën në përkrahje të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, thonë të mbështesin edhe masat tjera të reciprocitetit.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se masat e reciprocitetit i kanë anët negative dhe pozitive, por që masa të tilla, Qeveria e Kosovës, sipas tij, ishte e nevojshme që t’i zbatonte.

Ai tregon se bizneset nga Kosovë në vazhdimësi janë përballur me mosnjohjen nga Serbia të dokumenteve të cilat janë lëshuar nga autoritetet e Kosovës dhe se një masë e tillë do të duhej të merrej shumë kohë më parë.

“Paralajmërimi i Qeverisë së Kosovës se mund të rris masat kundër Serbisë në forma të ndryshme qoftë duke kërkuara masa reciprociteti mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të ketë parasysh që masa 100 për qind a e ka arritur efektin dhe nëse është arritur efekti nuk ishte dashur të merren masa tjera, por nëse nuk është arritur efekti atëherë kjo duhet të merr masa të reja. Tani 18 vjet Serbia nuk njeh dokumentet, targat e veturave dhe certifikatat e ndryshme që lëshohen nga autoritetet tona”, thotë Shahini.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për aplikimin e taksës doganore në vlerën 100 për qind ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, ka ndikuar në ngritjen e çmimeve të disa artikujve të domosdoshëm ushqimor në Kosovë. Nga produktet e domosdoshme ushqimore të shtrenjtuara, janë, mielli, buka, sheqeri dhe vaji.

Kosnett: Në Kosovë disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre përpara të mirës publike

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, tha të hënën se qeveria e Kosovës duhet të dëshmojë se mund të dënojë zyrtarët e korruptuar dhe atë duke filluar nga zyrtarët e lartë.

Ai i bëri këto komente në një veprimtari të përbashkët me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore në Kosovë në hapje të Javës kundër korrupsionit

Ambasadori Kosnett tha se përgëzon qeverinë për përparimet e shënuara në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë është ende e pamjaftueshme.

“Transparenca dhe ligjet janë thelbësore, qeveria tani duhet të dëshmojë se është e gatshme të dënojë zyrtarin e korruptuar, për të ndëshkuar praktikat dhe sjelljet korruptive, duke filluar nga lart poshtë”, tha ai duke nënvizuar se ligjet e mira funksionojnë vetëm kur zbatohen dhe atë në mënyrë të barabartë dhe me drejtësi për të gjithë.

“Siç e dimë të gjithë, disa zyrtarë qeveritarë marrin ryshfet, punësojnë miqtë dhe ndërhyjnë në gjyqësor. Disa vazhdimisht abuzojnë me pozicionet e tyre zyrtare me një qëllim; që të përfitojnë për veten e tyre, anëtarët e familjes dhe madje edhe miqtë e tyre. Në Kosovë fatkeqësisht, disa zyrtarë shpesh e vendosin interesin e tyre personal përpara të mirës publike. Korrupsioni në të gjitha nivelet, ndëshkon imazhin e Kosovës brenda dhe jashtë vendit, zvogëlon besimin e qytetarëve në qeveri dhe dekurajon investimet dhe rritjen ekonomike”, tha ambasadori Kosnett, duke nënvizuar se tashmë është koha për të lëvizur nga transparenca te përgjegjësia.

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell, tha se vendet perëndimore kanë nevojë për një partner në këtë pjesë të botës që lufton korrupsionin, krimin e organizuar, që sipas tij, cenojnë jo vetëm Kosovën por edhe vendet tjera.

“Kur flasim për politikanë që cenojnë prokurorët që të mos hetojnë korrupsionin, ne e dimë për kënd po flasim. Kur flasim për nepotizëm, për punësimin e njerëzve pa meritë dhe pa transparencë, por vetëm për lidhjet partiake dhe personale, ne e dimë për kënd po flasim. Dua të them që është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptoj që ka përkrahjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe e keni parë sot sa përkrahjen e keni”, tha ambasadori O’Connel.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova, tha se për Evropën lufta kundër korrupsionit vazhdon të mbetet përparësi. Ajo tha se Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të ndryshëm është duke shtyrë Kosovën që të luftojë korrupsionin.

“Luftimi i praktikave korruptive është shumë i lidhur me një qeverisje më të gjerë dhe agjendë të reformës së administratës publike. Kjo është arsyeja pse në strategjinë e Ballkanit Perëndimor të këtij viti, ne jemi përqendruar në çështjen e kapjes së shtetit dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme publike dhe private në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës. Zgjidhja e kësaj situate kërkon një përzgjedhje në bazë të meritës, pa ndërhyrje politike, komerciale ose të ndonjë patronazhi”, tha zonja Apostolova.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë duke bërë përpjekje që të luftojnë korrupsionin duke hartuar legjislacion që ashpërsojnë masat ndaj keqpërdorimeve.

Muajin e kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi nëntë projektligje që lidhen me reformimin e sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, rritjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

Organizatat e shoqërisë civile që vëzhgojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se edhe gjatë vitit 2018 me gjithë përmirësimet në legjislacion, lufta kundër korrupsionit në praktikë ka shënuar ngecje dhe se sipas tyre se sfida kryesore mbetet mosndëshkimi i zyrtarëve të profilit të lartë të përfshirë në raste të korrupsionit dhe lidhjet e ndikimet e tyre mbi prokurorët dhe gjyqtarët.

FOTOT – Amerika furnizon me mjete ushtarake Kosovën

Njëzet e katër automjete ushtarake “Humvee” kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara në Kosovë. Këto mjete pritet të jenë në dispozicion të Forcave të Armatosura të Kosovës, e cila pritet të themelohet me miratimin e tri ligjeve në Kuvendin e Kosovës.

Seanca për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është parashikuar për në datën 14 dhjetor në Parlamentin e Kosovës.

Në pritje të kësaj dite, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, po qëndron në Shtetet e Bashkuara. Ditë më parë ai ka vizituar automjete të blinduara të Ushtrisë amerikane në shtetin e Iowas, për të cilat flitet se do të jenë pjesë e Forcave të Armatosura të Kosovës, shkruan RTK.

Në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për blerjen e 51 automjeteve të blinduara ‘Humvee’. Ceremonia është zhvilluar në ambientet e kazermës së Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në të kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë vendorë dhe të Ambasadës amerikane.

Ekspertët: Dialogu dëmtoi subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës

Bekim Bislimi

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, ka lehtësuar një varg çështjesh teknike në të mirët e qytetarëve të të dyja vendeve, por kalimi në fazën e bisedimeve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, e ka dëmtuar subjektivitetin e Kosovës në planin ndërkombëtar, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Dëmet për Kosovën, sipas tyre, për më shumë vazhdojnë të rriten për shkak të mosarritjes edhe më tej të marrëveshjes gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është duke humbur nga dialogu që po zhvillon me Serbinë, sepse kjo e fundit, në të gjitha shkresat zyrtare që po ua dërgon vendeve të ndryshme, kërkon mosnjohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Në subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, kjo po sjellë dëme, sepse të gjitha vendet po rezervohen që të marrin qëndrime të fuqishme për përkrahjen e Kosovës në integrimet euro-atlantike dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke e pritur rezultatin, me arsyetimin që ‘ne nuk do të paragjykojmë asnjë zgjidhje’. Simptomatike ishte tërheqja e njohjeve – ndonëse në diplomaci nuk njihet si e tillë, por si ngrirje e marrëdhënieve – që disa vende po e bëjnë ndaj Kosovës, sepse po u thonë që derisa të përfundojë marrëveshja, ne nuk do të kemi marrëdhënie ose do t’i ngrijmë marrëdhëniet”, theksoi Tahiri.

Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që mungesa e një marrëveshjeje përfundimtare dhe juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka krijuar hapësirë për të kuptuar se të dy vendet kanë ende çështje të hapura.

“Kjo mund të ndikojë te vendet skeptike që ato të mos e njohin Kosovën, me të drejtë, për shkak se konsiderojnë që çështja e statusit të vendit nuk qenka mbyllur në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë, mirëpo paska ende probleme për t’u zgjidhur me Serbinë. Kjo, natyrisht që do të ndikojë në këtë aspekt dhe ka ndikuar edhe deri më tash, duke pasur parasysh tërheqjen e njohjeve nga disa shtete, që ka ndodhur edhe me ofensivën e madhe të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës dhe kundër subjektivitetit të saj”, tha Mushkolaj.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se Kosova dhe diplomacia e saj deri më tash kanë dështuar që dialogun e Brukselit ta kthejnë në favor të vendit, në planin e subjektivitetit ndërkombëtar.

Politologu Tahiri, thotë që institucionet e Kosovës, e veçanërisht ato që merren me politikën e jashtme, kanë dështuar që të bëjnë një dokument përmbledhës përmes të cilit do të shpjegohej historia e çështjes së Kosovës.

“Askush në botë, e as në Serbi, nuk mund të mendojë që Kosova mund të kthehet në çfarëdo kushte nën Serbinë – ndonëse si e tillë nuk ka qenë kurrë, përveç periudhës së dhunshme të Milosheviqit – ose në asnjë formë nuk mund të mendoj që Kosova mund të jetë në një bashkësi me Serbinë. Kjo kundërshtohet edhe në kuadër të Serbisë, në kuadër të Kosovës, por edhe në kuadër të bashkësisë ndërkombëtare. E vetmja mundësi është pranimi i shtetit të Kosovës, si realitet i krijuar tash e 20 vjet, si shprehje e vullnetit të popullit dhe si faktor paqeje dhe stabiliteti. Këto argumente nuk ka arritur që t’i bëjë diplomacia e Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Edhe analisti Mushkolaj vlerëson që diplomacia e Kosovës ka dështuar që t’ua shpjegojë esencën e dialogut të Brukselit vendeve që janë skeptike ose të luhatshme për ta njohur shtetin e Kosovës.

“Është dashur që t’iu bëhet e qartë që ne kemi çështje të pazgjidhur me Serbinë, çfarë mund të kemi edhe me shtetet tjera fqinje. Mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk jemi shtet i pavarur dhe që nuk e kemi integritetin territorial tonin. Në këtë aspekt, unë besoj që ka dështuar diplomacia e Kosovës dhe institucionet tjera. Po të bëhej kjo e qartë, atëherë edhe hezitimet, respektivisht, hamendjet e shteteve, qoftë atyre që na kanë njohur, qoftë të atyre që nuk na kanë njohur, do të ishin më të vogla ose nuk do të ekzistonin fare”, theksoi Mushkolaj.

Dialogu i Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur fillimisht si dialog për çështje teknike, në vitin 2011 dhe pastaj ky dialog ka kaluar edhe në nivelin politik. Bashkimi Evropian u ka kërkuar që në fund të bisedimeve, të dyja vendet të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila përveç tjerash, do t’u hapte të dy vendeve rrugën e integrimit në BE.

Ndalimi i deputetit nga policia serbe, reagon qeveria e Kosovës

 

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas ndalimit të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petrovic nga xhandarmëria serbe në Merdar.

 

Përmes një njoftimi qeveria e Kosovës thotë se dënon këtë akt të xhandarmërisë serbe dhe sipas saj deputeti i Kosovës është ndaluar pa asnjë arsye duke iu refuzuar hyrja në Serbi.

Qeveria e Republikës së Kosovës me shqetësim ka pranuar sot informatën se në vendkalimin kufitar në Merdare, është ndaluar pa asnjë arsye nga policia serbe, deputeti i Republikës së Kosovës, z. Slobodan Petroviç, dhe se i njëjti është mbajtur për orë të tëra në këtë vendkalim.

Qeveria e Republikës së Kosovës deklaron se kjo nuk është hera e parë që qytetarët e Republikës së Kosovës, posaçërisht ata të komunitetit serb, që punojnë nëpër institucionet e Kosovës e që janë subjekt i hetimeve, keqtrajtimeve dhe fyerjeve nga autoritetet serbe.

Qeveria e Republikës së Kosovës e quan të pa tolerueshëm rastin e sotëm dhe kërkon që këto praktika nga ana e Serbisë të ndërpriten sa më shpejtë dhe që në të ardhmen asnjë qytetarë i Kosovës, nga asnjë përkatësi etnike të mos ketë problem të tilla.

Serbia duhet ta kuptojë njëherë e mirë se situata të tilla nuk i kontribuojnë fqinjësisë së mirë“, thuhet në deklaratën e qeverisë së Republikës së Kosovës.

ZONJA FANË RUGOVA NUK DUHET TA PRANOJË PAGËN QË JA OFRON RAMUSH HARADINAJ – Nga Bardh M. Nengurra

 

Asht nji fjalë dukagjinase që thuhet ; .. byr n`odë t`migjes.
Kryeministri i Dardanisë muskulozi i Gllogjanit Ramush Haradinaj ja ban shpesh njerzve “sajginë” me para të taksapaguesve të Dardanisë apo para të buxhetit të shtetit. Po harron ky i shkretë se ato para nuk i ka trashëgim nga baba Ilmi tash i ndjerë e as miras nga nana Rukë.
Mbramë kur ndëgjova në lajme në RTK se qeveria ka aprovue njizani që ti ndaj nji pagë mujore ish zonjës së parë të Dardanisë, zonjës Fanë Rugova që asht e veja e Presidentit të ndjerë Dr. Ibrahim Rugova ndjeva indinjatë dhe neveri per të saten here me sjelljet gangsteriste të të parit të qeverisë së shtetit ku kam lindë e ku gjithmonë andërrojë të riatdhesohem ,por jan gjithmonë politikajt gangstera te Dardanisë që ma bajnë këthimin e pamundun sepse i frigohem ardhmënisë së fëmijve e nipave të mi në at vend ku ska ligj as rregull, ku ska siguri e as mirqenje.
Asht shumë e natyrshme dhe kjo praktikohet në secilin shtet normal që Presidentve pasi ata mbarojnë karieren e edhe pensionohen tu ndahet nji pagë e perjetshme me të cilen ata mund ta kalojnë jetën normal ashtu si të gjithë qytetarët e ati vendi. Asht poashtu e ligjëshme kudo nëper botë që edhe pas vdekjes së Presidentit bashkëshortja e ti e vejë të gezojë pension të bashkëshortit , por ai pension asht i reduktuem dhe asnjihere nuk mirret në sasinë qe ju ka dhanë Presidentit, por mirret ma pak.
Tash unë shprehu habinë time këtu. Presidenti Ibrahim Rugova iku në amshim në janar 2006. Edhe nji muej po bahen 13 vjet nga ikja e Ti në botën e amshueshme. Pse asnji qeveri deri sot nuk i ndau pagë apo pension si e ve e ish Presidentit zonjës Fanë Rugova ?! Pse tash kjo i kujtohet Ramush Haradinaj ? A ka diçka serioze dhe me respekt këtu ?
Nuk thotë kot populli; dardha ka bishtin mas. Ramush Haradinaj ka vite që i vardiset familjës së Ibrahim Rugovës. Ka vite që ai kur asht afër far kohe e zgjedhjeve rrah gjoksin si i vetmi mik i Ibrahim Rugovës dhe i familjës së Rugovës.
Tashma nuk asht sekret që deren e shtëpisë së Ibrahim Rugovës, Ramushit ja hapi matrapazi faqezi Nexhat Daci. Po ky Daci bashk me kriminelin e paskrupullt Bujar Bukoshin ja kidnapuen në njifar mënyre djalin e Rugovës z. Ukë Rugova. Bukoshi me sejmenet e vetë Astrit Haraqija dhe Dardan Gashi e futen Ukë Rugovën në ujnat pise sipas shtypit , por unë them se ja montuen aferat per korrupsion e krim dhe , sikur kjo nuk ju mjaftojë ata ja kidnapuen edhe vajzen Teuten dhe tash me vite me këtë familje Ramush Haradinaj po luen si maca me miun.
Ramushi me sukses arriti ta bajë me familjen e Ibrahim Rugovës atë që menjihere pas luftës e pat ba Hashim Thaçi me familjen e Jasharajve. Mirpo Ramushi u tregue edhe ma dinak. Ky permes njerzve të vetë që i ceka ma naltë, pra permes Nexhat faqezi Dacit, Bujar kriminel Bukoshit dhe mafiozve Astrit Haraqija e Dardan Gashi ka arritë ta ketë në dorë familjen e Presidentit Ibrahim Rugova pasi permanent e kerrcnon atë familje me burgosjen e Ukës po që se nuk veprojnë si deshron Ramushi.
Kjo tashma dihet. Nuk po tham diçka të re.
Ramush Haradinaj mjeshtrishtë po mundohet me mbajt gjallë partinë e vetë në Parlament. Ai per secilen votë asht në gjendje me ba të pamunduren. Nuk zgjedh mjeta as metoda. Unë mendojë se edhe vendimi per t`ja nda zonjës Fanë Rugova nji pagë mujore prej 1000 eurove plus makinë dhe shofer personal asht nji perfiditet i radhes i Ramushit. Ai padyshim me këtë veprim do e fiton simpatin e shumë naivëve që jan votues tradiciona të LDK-së dhe që jan emocionalisht të lidhun me Familjen e Presidentit Ibrahim Rugova . Ramushi llogaritë që nji pjesë të ketyne njerzve ti baj votues per veti. Jo pa qellim Ramushi dhe bashkveprimtaret e ti ma të afërt sa munden luftojnë liderin e LDK-së Akademikun Isa Mustafa dhe me sulme qoftë në publikë e shtyp, qoftë në foltore të Parlamentit AAK e Ramushit asht anmikja ma e paskrupullt e LDK-së ndër të gjitha partitë tjera të vendit.
Tash me ndamjen e pagës mujore per Fanë Rugovën , Ramushi tenton me arritë simpati te populli si mik i familjës së Presidentit Ibrahim Rugova e poashtu llogaritë ma së shumti se masat e popullit simpatizant e votues të të gjitha partive do irritohen deri në skajshmëri dhe do e sulmojnë e shajnë Familjen e Ibrahim Rugovës.
Andaj unë permes këti shkrimi ketu apelojë të të gjithë adhuruesit dhe perkrahësit e Familjes së Ibrahim Rugovës, që të senzibilizohen dhe ta këshillojnë zonjën Fanë Rugova që ajo asesi mos ta pranon këtë privilegj perfid që ja ndau Ramush Haradinaj. I baj thirrje zonjës Fanë Rugova që ta refuzojë pagën dhe ta vazhdojë jetën me hallet që i ka e mos ta lejoj veten e as femijet e nipa e mbesa të bahen peng e mafiozve të pushtetit dhe perjetësishtë të jetojnë me shantazhe e kerrcnime prej tyne. Duhet ta ngritesh zanin edhe Ti zonja Fanë ashtu si e pat ngritë Rifat Jasharaj dhe ua ndalojë shkumjen në familjen e tyne Hashim Thaçit e disa banditve tjerë. Edhe ti zonjë si kreu i familjës që je duhet me ua ndalue shkumje ardhjet në shtëpinë tande banditve si Astrit Haraqija, Dardan Gashi, Bujar Bukoshi , e Nexhat Daci,
Nuk ke pse frigohesh. Po të kerrcnoj dikush denoncoje menjihere. Thirë Ambasaden Amerikane në raste të tilla. Ta dishë se po veprove prerazi dhe shkëputë lidhjet me bandit të pushtetit ti dhe familja e jote do e riktheni respektin e popullit dhe edhe do baheni shembull i familjës Atdhetare. Tash per tash në popull keni fare pak respekt dhe llogariteni si familje mafioze dhe si perkrahëse e pushtetarve, njerzve që deri dje e luftuen tmerrshem Kryefamiljarin e juej Dr. Ibrahim Rugovën.
Mos e prano pagen Zonja Fanë Rugova. Shpetoje familjen tande e edhe Dardaninë që na la amanet njeriu i jetës tande Shejti i Dardanisë Dr. Ibrahim Rugova.
Ti zonja Fanë e ke pensionin tand të moshes ( pleqnisë ) rejat kan bizneset e tyne dhe edhe Mendimi ka punën dhe keni mjete të mjaftueshme per ta jetue jetën me modesti e qetë pa bujë e pa telashe. Krejt çka ta kan borq qeveritë e vendit asht pensioni e vejushkes që ligjerishtë të ka takue dhe ate kerkoje dhe duhet me ta pague retroaktivisht prej ditës që na la Presidenti Rugova. Tjera para mos prano.
Te dalin dardhë me bisht ato ma vonë dhe pasojat do i bartin pasardhesit e tu.

Sarpsborg
Norvegji

Ish-e dashura e Arkanit futet në Kosovë, takon zyrtarët serbë

Këngëtarja serbe, Svetlana Raznatovic e njohur si Ceca, sipas mediumit serb “Tv Prva”, është futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes pikës kufitare në Jarinje, pa asnjë problem.

Ajo është futur në Kosovë edhe përkundër thirrjeve të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, që ajo të mos lejohet të futet në Kosovë.

Ajo do të mbajë një koncert në qendrën studentore në veri të Mitrovicës, si pjesë e protestës kundër taksës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe, shkruan Express.

Autoritete e Kosovës më herët ua kishin ndaluar hyrjen në Kosovë, basketbollistëve të klubit të Partizanit dhe zëvendës drejtorit të ashtuquajturës ‘Zyra për Kosovën’.

Ceca ishte e dashura e shefit të mafias serbe, Zheljko Raznatovic, i njohur si Arkani. Arkani ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës.

Sulmi kibernetik bllokon komplet ambasadat e Kosovës

Burime të Gazetës Express kanë treguar në orët e mbrëmjes se përfaqësuesit diplomatik të Kosovës, në kryeqendrat botërore, nuk po munden t’u qasen e-mailave zyrtar. Ky sulm ka filluar para 24 orëve dhe po vazhdon.

Faqet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës kanë qenë sot cak i një sulmi të fort kibernetik.

Sulmi i fuqishëm kibernetik që vjen nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia ka prekur edhe ambasadat e Kosovës.

Gazeta Express merr vesh se përfaqësuesit diplomatik të Kosovës e kanë të pamundur qasjen në emailet zyrtare.

Sulmi që po vazhdon prej 24 orësh është konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

“Është e vërtetë që në 24 orët e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera të RKS kanë qenë të njoftuara për një sulm kibernetik dhe është thënë përmes komunikimit zyrtarë nga Agjencia e Shoqërisë Informative është bërë e ditur se target ka qenë ministria e Punëve të Jashmte, repsketivisht përfaqësuesit diplomatikë të RKS, komunikimi me ta ose përmes tyre”, ka treguar Fatmir Haxholli, këshilltar i Ministrit të Punëve të Jashtme.

Ndërkohë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se kanë nisur hetimet lidhur me sulmin.


Send this to a friend