VOAL

VOAL

Fizikani kosovar që konteston teorinë e Ajnshtajnit

Një profesor kosovar i fizikës ka marrë guximin ta sfidojë gjeniun e shekullit XX, përkatësisht fizikanin e ndjerë të përmasave globale Albert Einstein (Albert Ajnshtajn).

Ajnshtajn ishte vlerësuar se kishte koeficientin e dijes së trurit 165 dhe ishte i njohur në botë me teorinë e relativitetit, përderisa para gati një shekulli kishte fituar çmimin “Nobel për Fizikë” për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik.

Por doktori i Fizikës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Shukri Klinaku, thotë se teoria e Ajnshtajnit është e paqëndrueshme, pasi ka gjetur shumë gabime në të, shkruan “Zëri”.

Klinaku shkon edhe më tej me kritika, duke e vlerësuar Ajnshtajnin si njeri konfuz dhe mistik, ndërsa për teorinë e tij thotë se është e pasaktë.

Për të arritur në këto konstatime Klinaku thotë se i janë dashur 30 vjet studime.

“Shumicën e kohës kam punuar në shpjegimin e lëvizjes relative. Sot teoria speciale e relativitetit është teoria dominante shkencore. Unë qysh para përfundimit të studimeve bazike kam filluar ta studioj atë teori, afër 30 vjet unë punoj në këtë lëmi”, ka thënë ai.

Vazhdojnë kolonat e gjata në pikat kufitare Muçibabë e Dheu i Bardhë (tabela)

Ardhja e mërgimtarëve për festat e fundvitit, e ka shtuar fluksin e njerëzve, e bashkë me të edhe kolonat në kufi.

Sipas Qendrës për Menaxhimin e Kufijve, pritjet më të gjata janë në Muçibabë dhe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Aty qytetarëve po u duhet të presin deri në 60 minuta për të hyrë në Kosovë.

Ndërkaq, si rrallë herë pritjet për të hyrë në Kosovë nga Merdarja nuk shkojnë më gjatë se 10 minuta.

Kolona janë krijuar edhe në Han të Elezit, mirëpo aty nuk raportohet për pritje të gjata.
Në pikat tjera kufitare gjendja është më stabile.

Thaçi: Ekipi Negociator në Bruksel, unë në Brezovicë, jemi pajtuar që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës (video)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencës e fundvitit me gazetarë, ka thënë se mbështet të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës:

“Unë mbështes në plotëni të drejtat legjitime dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, bile sot me fuqishëm sesa gjatë verës. Në muajt në vijmë shpresoj në zyrtarizimin e së drejtës së tyre për bashkëngjitjen me Kosovën, Kosova do të krijojë dhe prodhojë argumente, ta lehtësojë dialogun dhe të mos krijohet përcepsioni sikur Kosova është pengesë për fillimin e dialogut”, ka thënë Thaçi.

Në këtë konferencë, Thaçi ka folur edhe për ekipin negociator për bisedime në Bruksel, ku ka thënë se Kuvendi ka marrë një vendim shumë të drejtë për ta votuar këtë ekip.

“Delegacioni ka legjitimitetin qytetar dhe përgjegjësinë e marrë nga të zgjedhurit e popullit. Do të ishte interes që të ketë përfshirje më të gjerë. Ditën kur është votuar delegacioni është votuar edhe një rezolutë prandaj tash dokumentet që nxjerrin duke respektuar kushtetuan do të jenë obliguese për të gjithë”, ka deklaruar Thaçi.

I pyetur nga gazetarët, nëse ai dhe ekipi negociator kanë pajtueshmëri për prekjen e kufijve, Thaçi është përgjigjur: “Ekipi negociator është pajtuar me propozimin tim më 8 janar ata të jenë në Bruksel, ndërsa unë në Brezovicë në skijim”.

Më 2019 Kosova pritet t’iu japë fund kodeve të huaja telefonike

Luljeta Krasniqi – Veseli

Kosova përfundimisht në fillim të vitit 2019 pritet të bëjë largimin e të gjitha kodeve të huaja telefonike dhe të përdor vetëm kodin telefonik të Kosovës +383, bëjnë të ditur përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Ndonëse ishte paraparë që në qershor të vitit 2018 t’i jepet fund operimit të kodeve të huaja telefonike dhe të përdoret vetëm kodi +383 i Kosovës, kjo nuk arriti të realizohej.

Sfidë për fillimin e zbatimit në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383, sipas operatorëve të telefonisë mobile Vala dhe Ipko ishin relacionet e tyre me operatorët ndërkombëtarë.

Kryetari i Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndonëse në vitin 2018 nuk është arritur të largohen përdorimi i kodeve të huaja, procesi i zbatimit ka shënuar arritje të mëdha.

“Një nga të arritjet që mund të përmenden është largimi i plotë i kodit të Serbisë që ka funksionuar në Kosovë për një periudhe të gjatë nga telefonia fikse. Në telefoninë fikse, të gjithë operatorët qoftë ata të mëdhenj apo të vegjël e kanë zbatuar komplet kodin +383, ndërsa në telefoninë mobile janë hapur mundësitë për të bërë thirrje dhe për të pranuar thirrje me kodin +383. Në këtë mënyrë, tani thirrjet nga e gjithë bota në drejtim të Kosovës mund të bëhen me +383 edhe ne telefoninë mobile edhe fikse”.

“Në këtë proces është bërë edhe përdorimi i kodit +383 në shumë aplikacione që shfrytëzohen në rrjetet sociale”, thotë Gashi.

Afati i dytë për largimin e kodeve të huaja ishte 31 tetori i vitit 2018. Por, në pamundësi për arritjen e këtij afati, dy operatorët Vala dhe Ipko kishin kërkuar shtyrje të afatit, por kjo nuk ishte pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Ky autoritet, nxjerri vërejtjen përfundimtare dhe kërkoi që të eliminohen kodet e huaja sa më të shpejtë që është e mundur, derisa me masa sanksionuese bëri të ditur se fillohet nga data 15 janar, 2019.

Tani, 15 janari i vitit 2019 është data e fundit kur operatorët e telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko do të duhet të fillojnë me zbatimin e kodit telefonik +383 ose do të fillohet me masa sanksionuese.

Gashi thekson se ky vendim ishte marrë me qëllim që operatorëve të ju vihet një kusht dhe përfundimisht tu tregohet se nuk do të ketë tolerime tjera të moszbatimit të kodit.

“Ne kemi kontakte të vazhdueshme me të dy operatorët të cilët janë duke punuar që të realizojnë largimin e kodeve të huaja sa më shpejtë. Ne do të presim datën e caktuar (15 janar) dhe vetëm deri atëherë mund të jemi të sigurt se cili do të jetë rezultati. Megjithatë, tash është marrë vendimi se nëse ka shkelje të atij afati, operatorët e dinë se do të dënohen dhe nuk ka nevojë për ndonjë vendimmarrje të re pasi që vendimi vetëm ekziston dhe do të ketë një dënim mujor prej 10 mijë euro për secilin operatorë që nuk zbaton plotësisht atë vendim”, thekson Gashi.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Ekspertë të çështjeve të telekomunikacionit e konsideruan neglizhencë të operatorëve telefonikë mosrrumbullakimin në afat të caktuar të kodit shtetërorë telefonik të Kosovës +383.

Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, dikur udhëheqës i Post-Telekomit të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se do të duhej të ndëshkoheshin operatorët për neglizhencën e treguar karshi zbatimit në tërësi të kdit telefonik 383 të Kosovës.

“Unë mendoj që kjo është neglizhencë e pafalshme. Rregullatori (ARKEP) është të vendosë menjëherë gjoba pasi që këta do të vonohen përsëri. Kjo nuk është problem i qytetarëve të Kosovës, por operatorëve të cilët duhet ta zgjidhin. Ata duhet të bëjnë maksimumin e vet për të bërë një shërbim si duhet për qytetarët. Po bëhet një kohë e gjatë që qytetarët kanë problem me komunikim, pasi që softuerët e këtyre sistemeve nuk janë adaptuar si duhet dhe nuk kanë bërë zgjidhje transitore për të kaluar në sistemin e ri në kodin +383”, pati thënë Dida.

Në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që shfrytëzon linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro. Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në mbi 200 milionë euro.

Kosovës iu kishte ndarë kodi telefonik nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) në dhjetor të vitit 2016. Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrja e kodit telefonik, nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës ishte konsideruar e rëndësishme për sovranitetin dhe subjektivitetin e shtetit dhe njohjeve ndërkombëtare e pavarësisë në fushën e telekomit.

Qeveria i vendos taksën 100% edhe brendeve ndërkombëtare që vijnë nga Serbia

Prej sot në Kosovë nuk do të mund të hyjë pa iu nënshtruar taksës 100 përqind asnjë lloj malli nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës.

Këtë vendim Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, në mënyrë që masa prej 100 përqind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.

Ministri Shala u shpreh se kanë sugjerim nga të gjithë miqtë që të trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha kompanitë.

“MTI dëshiron që të jetë e barabartë për të gjitha kompanitë, për këtë MTI kërkon heqjen e listës, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2019”, tha ai.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj tha se ajo që është e papranueshme është letra e kryeministres serbe, Ana Bernabiq, e cila kërkon që vendet që kanë njohur Kosovën të tërheqin njohjen. Sipas tij, kjo është e papranueshme.

Thaçi dekretoi ligjet për transformimin e FSK-së

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar të premten tri ligjet që përcaktojnë procedurat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Në ditën e nënshkrimit të këtyre ligjeve, Thaçi ka uruar edhe një herë të gjithë pjesëtarët e FSK-së për këtë hap.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve, i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti i Kosovës.

Tri projektligjet për FSK-në janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces, derisa NATO-ja ka shprehur skepticizëm duke konsideruar se transformimi i FSK-së po ndodh në një “periudhë të papërshtatshme”.

Pakoja e ligjeve ka ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, ligjin për Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe ligjin për Shërbimin në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Me ligjet në fjalë, FSK kanë marrë një mandat “të mbrojnë integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Kosovës” si një “fuqi multietnike ushtarake, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për shërbimin në vend dhe jashtë tij, në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor”.

Presidenti Thaçi nënshkruan ligjet për ushtrinë

Presidenti Hashim Thaçi sot do të dekretojë ligjet për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Nënshkrimi i ligjeve bëhet në ora 10:00 në kabinetin e presidentit.

Më 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës ka miratuar tre ligjet që e kanë ndryshuar mandatin e FSK-së në ushtri.

Rriten të hyrat nga diaspora kosovare

Luljeta Krasniqi – Veseli

Diaspora e Kosovës, jo vetëm që ka vazhduar, por edhe ka shtuar shumat financiare që i dërgon apo investon në Kosovë gjatë këtij viti. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se shuma e remitencave të dërguara, ka shënuar rritje.

Deri në muajin shtator të këtij viti, remitencat kanë arritur vlerën e 587 milionë eurove, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rritje për 6.1 për qind.

Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania pasuar nga Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.

Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Lorik Pustina, udhëheqës i Divizionit për Komunikim në Ministrinë e Diasporës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përkrahja e diasporës për Kosovën, vazhdon të jetë e madhe. Ai tregon se janë një varg projektesh që po synohen të realizohen ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Kosovës.

“Ne sapo kemi përfunduar konsultimet publike për Ligjin për diasporën që ka qenë njëri nga projektet kryesore të këtij viti. Gjatë konsultimeve ne kemi qenë diku rreth 12 shtete, diku filluar nga Amerika e deri në Kroaci dhe aty kemi parë që entuziazmi i diasporës jo që është ulur, por vetëm sa është rritur. Komentet që ata i kanë dhënë në Ligjin për diasporën, na kanë treguar se janë më shumë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për atë që ne e quajmë marrëdhënie të shëndoshë në mes Kosovës dhe diasporës sonë”, thekson Pustina.

Pustina bën të ditur se me plotësimet që po i bëhen Ligjit për diasporën, është kërkuar nga Kuvendi që Ministrisë së Diasporës t’i ndahet një buxhet në proporcion me remitencat dhe ato t’u dedikohen projekteve zhvillimore.

“Nëse diaspora ka sjellë remitenca prej 700 milionë eurosh në vit, atëherë 7 milionë euro t’i dedikohen Ministrisë së Diasporës në këto projekte, pra kjo është një risi që është në Ligjin e Diasporës dhe e cila do të jetë shumë fitimprurëse për të dy anët – edhe për bashkatdhetarët tanë, edhe për institucionet e Kosovës, pra do të investohet në projekte zhvillimore se sa në konsum”, thotë Pustina, duke shtuar, se këto projekte zhvillimore do të gjenerojnë edhe vende të reja pune.

Pjesa më madhe e remitencave që në vit është mbi gjysmë miliardë euro, sipas të dhënave të BQK-së, shkojnë për konsum, pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive.

Ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë theksuar se duke pasur parasysh ritmin e zhvillimit në Kosovë, i cili, sipas tyre, nuk ka garantuar krijim të burimeve tjera të qëndrueshme që mund ta përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit, është mjaft e rëndësishme që Kosova ka një diasporë të fuqishme.

Siç vlerësojnë ata, parave të dërguara nga diaspora, të cilat kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’u ndërrohet orientimi duke i kthyer në investime në projekte të ndryshme që do të gjeneronin edhe vende pune.

Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas raportit më të ri të Bankës Botërore të titulluar ‘Migrimi dhe Zhvillimi”, që analizon trendët globalë të migrimit dhe remitencave, Kosova është ekonomia e katërt në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore për nga përqindja e pjesëmarrjes së remitencave në bruto-produktin vendor për vitin 2018.

Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit, është rreth 350 mijë.

Flet Specialja: E kemi autoritetin për ta siguruar praninë e Sylejman Selimit në Hagë

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se ka ftuar për intervistim për krime lufte ish-komandantin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Kjo zyrë thotë se ka autoritet për ta siguruar praninë e Selimit në Hagë. Gazeta Express pak më herët ka raportuar për ftesën ndaj figurës kryesore në hierarkinë e UÇK’së.

Vetëm pak orë pasi Gazeta Express ka raportuar se Sylejman Selimi më 9 janar 2019 do të intervistohet në Hagë nga një prokuror i Specializuar për Kosovën, ZPS, duke komentuar për rastin në fjalë, ka thënë se ka autoritet të sigurojë praninë e palëve që mund të jenë pjesë e Tribunalit Special.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka autoritetin që, mes tjerash, ta kërkojë praninë e të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve dhe t’i marrë në pyetje ata, të mbledhë dhe të hulumtojë të dhëna dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose përfundimin e hetimeve për rastet kriminale”, ka thënë zëdhënësi i ZPS’së, në një përgjigje me e-mail, duke komentuar ftesën ndaj ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK’së.

Tutje, zëdhënësi Christopher Bennett ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është e vetëdijshme se individë apo përfaqësuesit e tyre kanë njoftuar se kanë marrë urdhra për paraqitje në Hagë të disa ish-eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistim në Zyrën e Prokurorit Special.

“Sidoqoftë, Zyra e Prokurorit Special nuk jep të dhëna për statusin e hetimeve për arsye ligjore, profesionale dhe etike”, ka thënë tutje Bennett për Gazetën Express.

Të enjten pasdite, Gazeta Express ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ftuar për intervistim në Hagë edhe ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Për gjoja krime lufte, Selimi, në Hagë, do të intervistohet më 9 janar 2019, raporton Gazeta Express, përmes burimeve të afërta me procesin.

Ftesa, Selimit i është dërguar qysh në fillim të dhjetorit të këtij viti, sikurse edhe një pjese tjetër të ish-komandantëve të UÇK-së, dhe figurave tjera të rëndësishme të këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.

Avokati i Selimit dhe familjarë të tij nuk kanë folur për Gazetën Express rreth kësaj ftese.

Pak minuta pas raportimit, ish-avokati i Sylejman Selimit, Tomë Gashi, kishte mohuar pohimet e artikullit, duke harruar se ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë muaj më parë e ka liruar atë nga mbrojtja ligjore.

Vetë Sylejman Selimi, me anë të një letre që e kishte dërguar nga burgu, për Gazetën Express, në nëntor të këtij viti – si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Supreme kur refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht -, e kishte njoftuar avokatin Tomë Gashi se qysh atë ditë e tutje nuk e ka më përfaqësues ligjor, pasi siç thotë ai procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendës dhe ndërkombëtarë.

Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, që pas luftës, për një kohë ishte edhe komandat i përgjithshëm i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, e më pas edhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe ambasador i Kosovës në Tiranë, aktualisht ndodhet në burg në Kosovë.

Atij, gjatë kohës sa po shërbente si ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.

Në fund të dy proceseve, ish-komandanti i përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet – për krime lufte ndaj popullatës civile.

Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejman Selimit i kishte vërtetuar 6 vite burgim për “tortura ndaj civilëve”.

Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit i vërteton dënimin unik prej 7 vite burgim për krime lufte, në Drenica 2.

Përveç Selimit, nga grupi “Drenica”, Haga ka ftuar për intervistim edhe dy ish-komandantë tjerë të zonës operative të UÇK-së në Drenicë, raporton Gazeta Express. Këtë thirrje për gjyq, tashmë e ka konfirmuar edhe vetë Sami Lushtaku, përmes avokatit të tij.

Sylejman Selimi është emri i 10-të i konfirmuar me burime nga Gazeta Express, i ish-pjesëtarëve të UÇK-së që në janar të vitit të ardhshëm do të udhëtojnë në Hagë, pas thirrjeve për intervistim që u ka bëra Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën.

Përveç ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Specialja deri më tash, nga figurat kyç të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ftuar për intervistim edhe ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK’së dhe disa ish-komandantë të njohur zonash operative të Drenicës dhe Llapit. /M.Gj./GazetaExpress/

Policia shkruan komunikatën 4 orë pas vrasjes së zyrtarit të saj Izet Demaj

Policisë së Kosovës i janë dashur 4 orë për të shkruar një komunikatë lidhur me incidentin e Istogut, ku mbeti i vrarë një zyrtar i saj dhe një grabitës i dyshuar.

Në një komunikatë të lëshuar para pak minutash, Policia jep detaje për rastin që ka ndodhur rreth orës 15:30.

Policia ka treguar se në këtë kohë, në Istog kishte ndodhur një rast i tentim grabitjes së armatosur në filialin e bankës NLB.

Sipas komunikatës, njësitet e Policisë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për t’iu përgjigjur rastit.

Dhe, kur shkojnë në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë hasin në të dyshuarin, i cili sipas komunikatës, ishte i armatosur me një armë të gjatë dhe dyshohej se kishte marrë peng dy persona.

Më pas kishte shpërthyer përleshja, gjatë të cilës ishte qëlluar polici Izet Demaj dhe ishte vrarë edhe i dyshuari K.M.

Këto janë detajet e ofruara nga Policia saktësisht katër orë pas ngjarjes.

“Sot 15:35, në filialin e bankës së NLB-së në Istog, ka ndodhur një rast tentim grabitje e armatosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore për t’iu përgjigjur vendit të ngjarjes, ku me të arritur në atë lokacion kanë hasur në personin e dyshuar i cili posedonte një armë zjarri të gjatë, si dhe dyshohej që kishte marrë peng dy persona”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia sqaron se personi i dyshuar në përpjekje për t’u larguar nga vendi i ngjarjes ka shtënë me armë zjarri drejt zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje të tyre dhe të qytetarëve janë detyruar t’i përgjigjen me armë zjarri, duke e neutralizuar dhe duke e lënë të plagosur personin e dyshuar.

Sipas këtij njoftimi, polici Izet Demaj ishte plagosur rëndë dhe kishte kërkuar ndihmë në Spitalin rajonal ntë Pejës.

“Gjatë intervenimit policor, si pasojë e shkëmbimit të armëve të zjarrit një zyrtar policor është plagosur rëndë, dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin rajonal të Pejës. Disa orë më vonë nga mjekët kompetent është konfirmuar vdekja e zyrtarit policor (I.D.) i cili ka shërbyer në stacionin policor Istog, si dhe vdekja e personit të dyshuar (K. M.) viti i lindjes 1968 nga fshati Shushicë e Ulët – Istog”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia sqaron se  të gjitha njësitet policore nga niveli lokal, rajonal dhe ai qendror, kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore.

“Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, në afërsi është gjetur një granatë dore, një armë zjarri revole dhe një armë AK-47 me municion, të cilat i ka poseduar i dyshuari. Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se personi i dyshuar posedon të kaluar kriminale të kryer në disa vende të Evropës”, thuhet në njoftim.

Polici i vrarë Izet Demaj ishte ushtar i UÇK-së në Koshare

Polici Izet Demaj, i cili u vra sot në qytetin e Istogut derisa ndihmonte qytetarët e marrë peng në një bankë, ka qenë ushtar i UÇK-së në betejën e Koshares.

Këtë e ka bërë të ditur bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, Shukrije Ramadani, e cila është shprehur e tronditur nga vrasja e policit Demaj.

“Lajmi për vrasjen e oficerit të policisë Izet Demaj, ushtarit të Koshares, hijes mbrojtëse të komandant Rrustem Berisha, na tronditi thellë. Ngushëllime të përzemërta familjes Demaj, shokëve, miqve dhe të gjithë pjesëtarëve të policisë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Polici Izet Demaj u vra sot pasdite në një përleshje me një person të armatosur, i cili kishte hyrë për të grabitur një bankë në Istog.

Demaj u vra gjatë përpjekjes për t’i liruar disa persona të cilët ishin marrë peng nga grabitësi.

Më pas, grabitësi u qëllua për vdekje nga kolegët e Izet Demajt.

Sipas Spitalit të Pejës, polici Izet Demaj ishte sjellë pa shenja jete.

Vrasja e polici Izet Demaj në Istog, prokurorja tregon si ndodhi gjithçka

Prokurorja e rastit nga vrasja e dyfishtë në Pejë, Sahide Gashi, ka dhënë një kronologji për atë që ndodhi në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe grabitësi i bankës Kamer Metaj.

Në një lidhje direkte në KTV, Gashi tha se Prokuroria është njoftuar rreth orës 16:00. Aty kanë shkuar menjëherë pas informatave të para.

“Plaçkitësi i bankës NLB në Istog, ka hyrë në lokal me kallashnikov dhe i ka kërkuar paratë arkëtares. Aty më pas menjëherë është përgjigjur policia, i pari ishte polici Izet Demaj. Sipas dëshmitarëve, polici ka kërkuar që ai të dorëzohet. Ai i është përgjigjur policit me zjarr nga brenda në bankë. I është përgjigjur njëjtë edhe polici, por grabitësi ka vazhduar të shtie me armë drejt polici. Më pas kanë ardhur përforcime, të cilët kanë kërkuar nga grabitësi të dorëzohet, ai ka dalë me një peng jashtë banke e më pas ka tentuar të ikë. Ka shtënë vazhdimisht në drejtime të ndryshme me armë, policia ka shtënë dhe aty ai është rrëzuar në tokë, ku më pas edhe ka vdekur”, tha Gashi.

Ajo tutje tha se tani po hetojnë se a ka qenë i dyshuari në bashkëpunim me dikë apo kush e ka sjellë.

Gashi tha se Policia në bazë të dëshmive ka vepruar sipas rregullave. Grabitësi, tha ajo, nuk i është përgjigjur paralajmërimeve të policisë prandaj kanë pasur urdhër të gjuajnë drejt tij.

“Përveç që ka shtënë edhe drejt hapësirave ku kishte numër të madh të njerëzve, fatmirësisht s’kemi tjera viktima. Atij i është gjetur edhe granata e dorës”, tha ajo.

Viktima po qëndron në vendin e ngjarjes edhe në këtë orë, Gashi tha se kjo po ndodh pasi teknika po bënë hetimet, ekspertizën dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

“Po e presim edhe mjekësinë ligjore për obduksion. Janë veprime që duhet bërë patjetër. Veprimet janë duke u bërë në kuadër të rregullave”, përfundoi ajo.

Haradinaj bën thirrje për unitet pas takimit me ambasadorët e QUINT-it

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, bashkë me kryesuesit e ekipit negocitor të dialogut me Serbinë, kanë zhvilluar të enjten një takim me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, përkatësisht, Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh bashkëkryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj, ka thënë se në takim me ambasadorët është shprehur gatishmëria e Kosovës për dialogun me Serbinë.

“Ambasadorët shprehen përkrahje të plotë dhe natyrisht duan unitet dhe duan ta shohin Kosovën unike dhe mbështesin idetë tona dhe angazhimin tonë… Dhe si çdo herë edhe këtë herë po e mbështesin Kosovën e mbështesin një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, marrëveshje e cila do të jetë obliguese për të dyja vendet”, është shprehur Limaj.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë përmes një postimi në Facebook se Kosova ka nevojë për unitet dhe për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Kosova ka nevojë për unitet dhe unifikim të qëndrimeve të krejt spektrit politik në vend, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, që është në përputhje të plotë me vullnetin politik të popullit të Kosovës, të shprehur më 17 Shkurt 2008 nga Parlamenti i Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Përveç ekipit negociator, Qeveria e Kosovës ka miratuar së fundmi edhe një Projektligj për dialogun, i cili është kundërshtuar nga partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011 në Bruksel.

Së fundmi janë shtuar thirrjet për dialog ashtu që të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese mes të dyja shteteve.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë injoron inovatorin Smajl Mulaj! – Nga Florim Zeqa

 

Themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sikurse edhe shumë ministri tjera, është shpikje e pushtetarëve për të rehatuar militantët partiakë, sekserët politikë dhe familjarët e tyre.
Për të sqaruar edhe më tutje situatën, kjo ministri është shpikur jo për të ndihmuar resurset zhvillimore në vend, as për të ndihmuar studentët në rritjen e kapaciteteve intelektuale e shkencore dhe as qytetarët e vendit në ngritjen profesionale dhe avancimin e zbulimeve të tyre shkencore, por për rehatimin e Besim Beqajt dhe sekserëve tjerë të PDK-së pas kapjes së posteve ministrore nga partitë e vogla në koalicionin qeverisës megaloman PAN.

Jemi dëshmitarë, që muajve, javëve dhe ditëve të fundit Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përkatësisht ministri Besim Beqaj ka lansuar projektin për themelimin e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë në universitetet publike (partiake) të qyteteve tona.
Në këtë vazhdë, kohë më parë ministri Besim Beqaj gjatë vizitës në Universitetin Publik të Pejës ‘’Haxhi Zeka’’, ka deklaruar se “Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë,…kjo Qendër do të shërbejë për lidhjen e dijes e shkencës me ekonominë dhe do t’iu shërbejë profesorëve, studentëve dhe të rinjëve që kanë nevojë për aftësim profesional”.

Grantet Qeveritare ndahen për gjithçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë

Se vërtetë fjalët e mëdha dhe premtimet megalomane të pushtetarëve janë vetëm mashtrime dhe maskarada mashtruese sa për të justifikuar milionat që zhvatin nga buxheti i shtetit, kinse në emër investimeve në shërbim të dijes e shkencës e tregon rasti i shkencëtarit (elektricistit) Smajl Mulaj nga Peja të cilit i refuzohet e drejta në përfitimin e Grantit Qeveritar!
Ministria e Inovacionit dhe Ndermarrësisë nuk e përkrahë inovatorin Smajl Mulaj nga Peja, edhe pse shpikja e tij (Inhalatori) është e çertifikuar dhe testuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga mjekët vendor, e vetmja e këtij lloji në Evropë!
Grantet Qeveritare ndahen për gjithëçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë!
Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se në shtetin tonë avancohen delinkuentët, hajdutët e matrapazët e të gjitha llojeve e ngjyrave.
Në secilin shtet të botës, për shpikjen e tij, inovatori Smajl Mulaj, përveq ndihmës së pakursyer, do të avancohej dhe stimulohej nga shteti për përhapjen e shpikjes së tij edhe jasht kufijve shtetërorë.

Kush është Smajl Mulaj!?

Smajl Mulaj është nga fshati Lozhan afër Pejës, i punësuar si elektricist i kualifikuar në QKMF (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ) në Pejë që nga viti 1999, ku edhe ndodhet aktualisht.
Në QKMF, si mirëmbajtës i të gjitha paisjeve elektrike, gjatë riparimeve të paisjeve inhaluese, ai kishte vërejtur dobësitë e tyre dhe nga aty i kishte lindur ideja që të punoj një paisje më të avancuar për një sherbim më efikas për pacientët.
Aparati “Inhalator 3+1 Profesional” është vënë në punë në Spitalin e Pejës dhe mjekët thonë se nuk kanë pasur asnjë problem që nga fillimi i punës së këtij aparati, i cili po vlerësohet më shumë rëndësi për pacientët dhe qytetarët.
Pas realizimit me sukses të pajisjes inhaluese, Smajli menjëherë i fillon procedurat e patentimit të Inhalatorit të tij.
Edhe pse procedurat e patentimit e kishin një kosto të lartë dhe zgjatën rreth dy vite, vendosmëria dhe përkushtimi e bënën të vetën.
Kështu, më 02.11.2015 inovatorit Smajl Mulaj i është njohur shpikja nga Agjensia për Pronësi Industriale dhe me 05.11.2015 i është lëshuar Çertifikata për Patentë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Smajli pas marrjes së patentës për shpikjen e Re, i bëri hiq më pak se 5 kërkesa kryetarit të komunës së Pejës, Gazment Muhaxheri për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen ndërkombëtare të patentës. Por në vend të përgjigjes, kërkesat e tij injorohen në tërësi nga kryetari komunal!
I zhgënjyer në kryetarin e Pejës, inovatori Smajl Mulaj i drejtohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjegjësisht Departamentit për Shkencë dhe Teknologji me kërkesat për mbështetje në projektin e tij, por për fatin e keq injorohet dhe nga pushtetarët e nivelit qëndror.
Pas formimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Smajli shpresat i kishte drejtuar tek ministria e “Re”. Nga takimi me ministrin Besim Beqaj sikur iu kishin shtuar akoma më shumë shpresat për arritjen e qëllimit, për faktin se ministri kishte dëgjuar në media dhe kishte njohuri të mjaftushme për shpikjen e tij, me ç’rast merrë nga ai përgëzime për suksesin e arritur me shpikjen e Inhalatorit.
Smajli i entuziazmuar nga “përgëzimet” e ministrit Beqaj, më të shpallur konkursin për “Grante Qeveritare”, aplikon pranë Ministrisë së Inovacionit.
Mirëpo edhe kësaj radhe nuk i buzëqeshi fati!
Në aplikimin për grant, për jetësimin dhe zhvillimin e shpikjes, çuditërisht refuzohet edhe nga komisioni për vlersim të aplikuesve në listat preliminare!
Edhe përkundër ankesës në afatin e rregullt, përseri inovatori Smajl Mulaj nuk hynë në listën e fituesve të grantit!
Paradoksalisht, komi(sarët)sionerët i refuzojnë të drejtën në grant inovatorit të çertifikuar!

Zhgënjim dhe dëshpërim i përgjithshëm qytetarë

Kjo situatë duhet të jetë shqetësuese për të gjithë ne për gjëndjen në të cilën jemi katandisur si vend dhe si shoqëri njerëzore, ku nuk përkrahen ata që duhet, por ndihmohen ata që nuk e meritojnë, pra avansohen injorantët, antivlerat dhe analfabetët.
Kosova është katandisur keq nga kjo klasë politike, me këta politikanë dhe me këto parti politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, në një shtet pa përspektivë, tërësisht në duartë e mafio-oligarkëve politikë dhe ekonomik.
Inovacioni apo shpikja “Inhalator 3+1 Profesional” e Smajl Mulaj, nuk hyri në listat përfundimtare si përfitues i Grantit Qeveritar nga komisioni për vlerësim në Ministrinë e Inovacionit, për shkak se Smajl Mulaj nuk e kishte mundësinë për t’ua “lagur fytin” pushtetarëve.
Nuk i dhanë mundësinë Smajl Mulajt për jetësimin e shpikjes që e punoi me zellë e përkushtim maksimal për të mirën e pacientëve.
Pushtetarët hipokritë që me pompozitet flasin për krijimin e vendeve të reja të punës, realiteti po ua thotë të kundërten.
Inovacioni apo shpikja “Inhalator 3+1 Profesional” e Smajl Mulaj, e cila mund t’iu shërbejë të gjithë pacientëve kosovarë pa dallime partiake, nuk mbështetet nga pushtetarët injorant e analfabetë.
Ndodhë pikërsiht kështu, sepse pushtetarët nuk shohin përtej hundës së vet, nuk shohin përtej interesave të tyre personale.
Personi që shpiku inovacionin mund t’i ketë bindjet e veta ideologjike apo fetare, por inovacioni i tij nuk i përket asnjë partie politike, dhe nuk mundë ti shërbejë vetem një partie politike, pra inovacioni i tij do të shfrytëzohet nga të gjithë pa dallim, pa përjashtuar pushtetarët.

PDK-ja DHE SHIK-u LËSHOJNË RRJETËN PËR TA KAPË LDK-në – Nga BINAK MAXHARRAJ

 

Isa Mustafa ,Kryetari i LDK-së e paska lëshu një “bombë” në faqen e
tij në facebook kur paska thanë:

“Se pa trashëgiminë e rezistencës së Ibrahim Rugovës dhe atë të dalë
nga UÇK nuk ka marrëveshje finale me Serbinë.”

Qe lenë te kuptohet së Isa Mustafa veç po pregaditet të dorëzohet edhe
një herë në tradhëtin e madhe ndaj LVV në opozitë,sepse rrejetat dhe
grackat veç janë përgatitur nga PDK-ja dhe SHIK-u për ta kapur si
pshkun plak.

Këtë e verteton telalli i PDK-së Rexhep Hoti ,kur i thurë fjalë
lavdije dhe miradije Isa Mustafës dhe LDK-së,çka ska ndodhë kurr kur
dihet së se PDK-ja dhe PDK-ja janë sjellë mes vehte si dy bisha te
egra për ta çrrënjosë njëra tjetren.

Rexhep Hoti ja se si e merrë më të mirë Isa Mustafen për te ia futë grepin.

“Po e kam lexuar me vëmendje shkrimin e Isa Mustafës. Ishte një
pikëpamje e shkurtër e përmbledhur e ngjeshur dhe e cila i shkon një
burrështetasi të vërtetë, pavarësisht në qoftë se ai ndodhet në
opozitë apo në pushtet. Pajtohem me atë që ka thënë Mustafa . Mendoj
se nuk mund të përmbyllet dialogu pa LDK veçmas. Kjo është parti e
cila në vetvete ngërthen shumë pasuri, duke filluar nga nisja e saj si
Lëvizje. LDK -ja është parti qe e mbanë fjalën e parternitetit.Diçka
edhe ne të PDK-së kemi gabu më LDK-në.

Shumë e çuditëshme ky konstatim i Rexhep Hotit,kur dihet së te gjitha
të këqijat LDK-ja i ka pas nga PDK-ja.E rrexoj Presidentin Fatmir
Sejdiun,e rrexojë Kryeministrin Isa Mustafa hun e n’buz pasiqe ia mori
votat për ta bërë Hashim Thaçin President.

Tashti PDK-ja dhe SHIK-u po i futë hundet edhe në përçarjën e opozitës
LDK dheLVV,sepse ua ka frikën së do ti rrexojnë nëser ne zgjedhje.

Rexhep Hoti e ka një selam edhe për LVV sa për te shti hasmeri midis
LDK-së dhe LVV-je,kur thotë:

“VV-ja është parti ndryshe, pas shkapërderdhjes së saj. Është parti e
rastit dhe e momentit. Është një parti politike që e provon dhe
kënaqet me partnerin e fundit që i mbetet”

Ka harru ky farë tellalli së bash LVV ne zgjedhjet e fundit ia dha
shkelmin me te madh PDK-se,kur i mori 32 deputet e PDK-ja memzi 22.se
ciles ia futi pykat e SHIK-ut për ta shkaterru.Por LVV edhe tashti
është më e fortë së PDK-ja,e patë ne protestën e saj me 27 shtator kur
PDK-në e futi në birë të minit,kurse Presidentin Thaçi e detyroi te
ikë në”shetitje”në Ujman.

LDK-ja duhet ti hapë syt fortë mire që te mos jete pre e lakejve te
ndryshem politik.Ajo bile kësaj here duhet ta mbajë fjalën së nuk do
te merre pjesë ne ekipin negocues me PAN-in i cili qe shtatë vjetë
duke marrë pjesë ne dialogun me Serbin e ka dhi punën krejte,e ka ba
fishmashë qe as dreqi së mërr.Më qendrimet e saj rreth dialogut e ka
pështjell punën se qe as vendoret,por edhe nderkombetarët nuk po mujn
më i ra ne fije.Ata theshtë tashti po lypin qe te gjitha deshtimet e
tyre gjatë dialogut ti ndajënë më dike,përkatesishtë më LDK-në.Tek e
fundit ekipi i formuar rishtas nga Qeveria dhe i aprovuar nga
Parlamenti nuk ka kurrfarë peshe politike e as juridike,sepse ky ekip
nuk ka te drejtë te nenshkruan Marëveshje ndërkombëtare.

Thjeshtë ky ekip nuk është për asgjë tjetër pos një ndihmësë per te ia
lehtesu Presidentit Hashim Thaçit, njeriut i cili është futë ne vetmin
e madhe,që të realizoi planët e tij ugurzeza serb-sllave për
shkaterrimin e mvehtësisë,dhe zhberjën e pavarësisë së Kosovës.

Besoj së Isa Mustafa por në veçanti LDK-ja nuk do te gabojë edhe kësaj
here sepse do te ishte fatalitet për të por te qendroi e fortë së
bashku me LVV,sepse kjo do te ishte rruga më e mirë për te.

Besdoj thellë së kësaj here Isa Mustafa dhe LDK-ja kanë marrë mendë që
mos ta lejojnë vehtën qe te bijën bre e PDK-së dhe SHIK-ut,sepse dalin
humbësit me të medhëjn,do ti marrin mbi vehet edhe mekatet e tjerëve
rreth dialogut me Serbinë.

Thaçi: Kosova e vendosur për marrëveshje përfundimtare me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u është adresuar sot deputetëve të Kosovës në fjalimin e tij vjetor. Presidenti Thaçi ka folur për të rriturat dhe sfidat e Kosovës para deputetëve të partive në pushtet, pasi partitë opozitare e braktisën seancën. Ai fillimisht si çështje suksesi ka përmendur faktin e miratimit të tri ligjeve për Ushtrinë e Kosovës.

“Jam ndjerë veçanërisht i lumtur dhe krenar që tek unë kanë arritur për dekretim tri ligjet me të cilat hapet rruga që Forca e Sigurisë së Kosovës të bëhet ushtri e Kosovës. Shpesh jam ndjerë i vetmuar në angazhimin tim për themelimin e ushtrisë së Kosovës. Por, jam i lumtur që më në fund i tërë spektri politik i Kosovës u bashkua rreth këtij synimi për transformimin e FSK-së”, ka thënë Thaçi.

Ai tha se Kosova është gati për dialog me Serbinë, dhe se sipas tij “Kosova zotohet se do të arrijë marrëveshje përfundimtare me Serbinë”, që siç tha ai, “nënkupton një marrëveshje përfundimtare, njohje për Kosovën nga Serbia, ndryshimin e Rezolutës 1244 si dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuar”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se e mirëpret themelimin e ekipit negociator.

“Prandaj e mirëpres themelimin e Ekipit Negociator nga Kuvendi i Kosovës dhe fillimin e punës për marrëveshjen me Serbinë. Kjo marrëveshje duhet të jetë përfundimtare, gjithëpërfshirëse, e arritur në proces paqësor e të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian dhe mbështetur plotësisht nga SHBA-ja”, ka thënë ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se Kosova do të jetë mirënjohëse për SHBA-të, dhe presidentin Trump, për përkrahjen e vazhdueshme.

“I jemi mirënjohës që në letrën e tij presidenti Trump e dallon Kosovën si partner vendimtar për paqen dhe zhvillimin në tërë kontinentin e Evropës. Duhet të marrim me seriozitetin më të thellë ftesën e presidentit Trump kur thotë që “nxis ju dhe liderët e Kosovës që ta shfrytëzoni këtë moment unik” dhe “të flisni me një zë të vetëm gjatë negociatave për paqe”.Kemi përkrahjen e mikut më të madh dhe shtetit më të fuqishëm, SHBA-së. E kemi përkrahjen BE-së dhe të shteteve anëtare të saj. E kemi përkrahjen e botës për të arritur marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë”, ka thënë pos tjerash Thaçi.

Presidenti ka falënderuar deputetët që e kanë votuar demarkacionin me Malin e Zi. Presidenti ka thënë se ka ndjerë dhimbje edhe për mos anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe për vonesën e mos liberalizimin e vizave, për të cilat çështje ka thënë se nuk duhet parë si dekurajim.

Mblidhet ekipi negociator, më 8 janar shkon në Bruksel

Luljeta Krasniqi – Veseli

Udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ekipi negociator për dialog me Serbinë, kanë zhvilluar takimin e parë të përbashkët për t’i diskutuar hapat e ardhshëm në kuadër të fazës finale të bisedimeve në Bruksel, që po lehtësohen nga Bashkimi Evropian.

Takimi ishte thirrur nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Aty kanë marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj si dhe bashkëkryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Pas takimit është bërë e ditur se ekipi shtetëror i Kosovës më 8 janar të vitit 2019, është i ftuar për një takim në Bruksel.

Ata janë zotuar për një proces transparent, duke besuar se rezultat i dialogut duhet të jetë njohja e Kosovës nga Serbia, si një lloj parakushti që i mundëson Kosovës më pas anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përshpejtim në anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli tha se Kosova është në rrugë të mirë dhe kërkoi që në këtë proces të jenë të gjithë së bashku.

“Është i proces i lirisë është proces i të sovranitetit të territoreve të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, është proces që Serbia të njohë Kosovën si shtet dhe të fitojmë ulësen në OKB. I tërë procesi është transparent do të jetë e plotë dhe përgjegjësi. Kosova e ka zotimin e vet për dialog para institucioneve para qytetarëve para partnerëve ndërkombëtarë. Kosova ka njerëzit e vet që do t’i dalin zot endit të vet”, tha Veseli.

Pamje nga takimi

Pamje nga takimi

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se duke qenë më të koordinuar dhe të bashkuar, do të ketë, sipas tij, edhe sukses në angazhimet për arritjen e një marrëveshje finale Kosovë – Serbi.

“Ky unitet i qëndrueshëm i bartëse të institucioneve, ekipi negociator, shoqërisë civile… është një thirrje edhe për hezituesit e këtij procesi që të marrin përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi final Kosovë– Serbi”, tha Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri, Ramush Haradinaj tha se mirëpret çdo ide dhe sugjerim rreth dialogut Kosovë – Serbi, por asnjëherë, në tavolinat e bisedimeve nuk do të flitet apo negociohet për shkëmbim të territoreve.

“Qeveria e vendit, me qëllim që ekipi negociator të vihet në korniza ligjore, ka miratuar projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror si dhe ka sponsorizuar hartimin e draft-marrëveshjes, librin e madh me shumë kapituj, që është shkruar nga ekspertët e Qeverisë, duke e pajisur ekipin negociator të vendit me një materie të gjallë, gjithëpërfshirëse dhe të hapur”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, përfaqësuesi i subjektit të vetëm opozitar në këtë ekip negociator tha se më 8 janar, ekipi negociator do të ketë takim në Bruksel për të diskutuar mbi ecurinë e procesit të dialogut.

“Shumë shpejtë do të kemi edhe matricën e gjitha temave që ne i presim që do të zgjidhen në këtë dialog gjithëpërfshirës. Pra, ata do të jenë të përfshira në platformë prej temës së të zhdukurve, dëmeve të lutës dhe pronave do të jenë të përmbyllura në këtë proces”, tha Ahmeti.

Në këtë takim ndonëse të ftuar nuk kanë marrë pjesë edhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kuvendi i Kosovës kishte paraparë të mbante seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohej për dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Kosovës si “Draft-marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”.

Por, në mungesë të koalicionit qeveritar, seanca ende nuk ka filluar.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media ku kanë thënë se koalicioni qeveritare po tregohet i papërgjegjshëm karshi obligimeve dhe detyrave që ata kanë.

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se është papërgjegjësi e madhe për mënyrën se si po menaxhohet Kuvendi i Kosovës.

“Është obligim kushtetues i kryetarit të Kuvendit që të sigurohet që seanca hapet sipas kërkesës së 40 deputeteve që për një çështje të rëndësishme është një draft marrëveshjeve gjithëpërfshirëse që i është dorëzuar partive politike, ambasadorëve të vendeve të BE-së që është dashur të diskutohet këtu në Kuvend për të dhënë qëndrimet e deputetëve dhe dy grupeve opozitare”, tha Hoti.

Institucionet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Sipas Prishtinës zyrtare, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht obligative për të dy shtetet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.

Megjithatë, platforma, ligji dhe ekipi negociator që pritet të marrin edhe miratimin e Kuvendit të Kosovës, nuk e kanë edhe mbështetjen e dy subjekteve më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjergji: Diplomacia kosovare ka dështuar në raport me Vatikanin

Monsinjor Dr. Lush Gjergji tha se Vatikani ka bërë një hap të madh drejt njohjes dhe para 4 viteve ka emëruar Nuncin Apostolik i cili mbulon Kosovën, apo ambasadorin për Kosovë, i cili nga Sllovenia do të mbulojë edhe Kosovën si Ambasador i Vatikanit për Kosovë.

Ndërsa thotë se Kosova, edhe pas kaq viteve, ende nuk ka bërë një lëvizje të tillë, apo emërimin e një diplomati i cili do ta mbulonte Vatikanin.

“Kjo mund të jetë një gabim i madh, apo mungesa e përvojave diplomatike, në diplomaci nuk ka fjalë të mira, ka plane dhe veprime të matura dhe strategjike”, ka thënë Monsinjor Gjergji në televizionin publik.

Gjergji ka folur edhe rreth pritjeve që ju ka bërë Papa gjithë presidentëve të Kosovës, duke filluar nga Ibrahim Rugova e me radhë.

“Ata janë pritur si gjithë presidentët e vendeve tjera, ku edhe kjo do të thotë shumë për Kosovën”, ka thënë Gjergji.

Ai ka thënë se diplomacia kosovare nuk i ka njerëzit e duhur në vendin e duhur dhe ka njerëz joadekuatë dhe të papërvojë për të udhëhequr me diplomacinë.

Monsinjor Lush Gjergji ka folur edhe për rëndësinë dhe mesazhin e festës së Krishtlindjes dhe traditave shqiptare me rastin e krishtlindjes.

Gjergji ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Haradinaj kritikon kompanitë për çmimet e larta të naftës në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kompanitë importuese të derivateve të naftës, për ngritjen e çmimit në treg.

“Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Ai ka rikujtuar se çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.

“U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë”, është shprehur ai.

Çmimi i naftës, ka shtuar Haradinaj, duhet të jetë konform çmimit të tregut.

“Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Haradinaj: Kryeministrja serbe i dërgoi letër edhe Ramës për të tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Disa ditë më parë, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, nisur nga situata e tensionuar mes Serbisë dhe Kosovës, i kërkoi Ramës që të tërhiqte njohjen e Pavarësisë së Kosovës ndërsa homologu i Kosovës Ramush Haradinaj ka dënuar letrën e saj.

Duke komentuar letrën, Haradinaj është shprehur se këto kërkesa të Serbisë automatikisht shpjegojnë dhe arsyen e veprimeve të tilla nga Kosova.

“Sa i përket taksës, ajo është e drejtë e jona pasi në mbrojmë sigurinë tonë kombëtare. Kryeministrja e Serbisë vazhdon të dërgojë letra për qeveri të ndryshme. Nuk ka pasur turp t’i dërgojë një letër edhe Edi Ramës për të tërhequr njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Derisa Serbia ka të tilla qasjesh, atëherë kuptohet pse ne veprojmë kështu”, u shpreh Ramush Haradinaj.

Opozita letër Mogherinit: ”Grupi negociator i Kosovës nuk e përfaqëson shumicën”

Partitë opozitare e kundërshtojnë ekipin negociator të Kosovës, të miratuar pa votën e opozitës. Nesër mbahet seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar një dokument të qeverisë që parasheh kornizat e dialogut me Serbinë.

Qeveria e Kosovës procedoi për në parlament projektligjin që përcakton përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës për në procesin e dialogut me Serbinë, me synim arritjen e një marrëveshje finale ligjërisht  të obligueshme Kosovë-Serbi. Miratimi i një rezolute në parlament dhe i ekipit të unitetit 10 ditë më parë,  u përshëndet nga Bashkimi Evropian dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Por brenda spektrit politik kosovar, opozita asesi nuk po pajtohet që delegacioni shtetëror (që ka dy bashkëkryesues, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti) ta udhëheqë Kosovën në bisedime me Serbinë. Për këtë shkak, dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)  dhe Lëvizja Vetëvendosja, i dërguan një letër shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini, që është lehtësuese e dialogut, nga e cila kërkuan që BE-ja mos t’a njohë në këtë përbërje ekipin shtetëror të Kosovës. Këto dy parti, thonë se “ekipi negociator i Prishtinës nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovës”.

LDK dhe LVV kundër

Albin Kurti im DW-Interview (DW)

“Lidhur me letrën tuaj të datës 17 dhjetor 2018, dërguar Kryeministrit të Republikës së Kosovës, jemi befasuar shumë kur lexuam fjalinë në vijim: “Me vendosjen e ekipit të unitetit me një mbështetje të gjerë nga partitë në qeveri dhe në opozitë”. Ju lutemi të keni parasysh se ne, opozita kryesore që përfaqëson shumicën e elektoratit të vendit, siç shpjegohet më lartë, nuk kemi votuar për këtë ekip të unitetit të cilit i referoheni. Për pasojë, nuk ka mbështetje të gjërë për këtë ekip, siç shkruani ju në letrën tuaj”, thuhet në letrën e opozitës të nënshkruar nga shefat e grupeve parlamentare të LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti dhe Glauk Konjufca. Opozita në këtë letër, thotë se megjithatë këto parti (LDK dhe VV) janë për dialog, sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhen problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Jemi shumë të interesuar për një dialog mes dy vendeve tona që largohet prej paqartësisë dhe shkon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve tona, duke nënkuptuar njohjen reciproke” thuhet në letër.

I shqetësuar me këtë letër të opozitës kosovare drejtuar shefes së diplomacisë evropiane, është shprehur kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai nuk e kupton pse opozita nuk bëhet pjesë e ekipit negociator për faktin që, siç thotë, “aty janë lënë vendet e rezervuara edhe për ta”. Ndërsa, letrën që opozita e ka dërguar kundër grupit të unitetit te Federica Mogherini, ai e cilëson si një “devijim nga përpjekja për unitet që është në dëm të Kosovës”. Opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për ditën e martë datë (26.12) për të kundërshtuar “ekipin negociator” dhe platformat e tij të paraqitura për bisedime me Serbinë.

Kosovo Isa Mustafa (Reuter/A. Beqiri)

Veseli i habitur me hapat e opozitës

“Në këtë fazë, ne nuk duhet të merremi me njëri-tjetrin, me ligjërime partiake, me pretendime për të dalë moralisht triumfues. Prandaj, konsideroj se edhe një seancë tjetër për dialogun, sepse kjo s’është e para, e ftuar nga opozita, është në funksion të komplikimit të mëtejmë të thirrjes për unitet. Në vend se të diskutojmë bashkërisht për Kosovën, ne po ftohemi që të diskutojmë për njëri-tjetrin. Kjo është papërgjegjësi e LDK-së dhe Vetëvendosjes në raport me shtetin e Kosovës. Kjo logjikë i bën dëm momentit në të cilin gjendemi”, thotë Kadri Veseli.

Thirrje partive politike kosovare për unitet dhe që të flasin me një zë, u ka bërë serish edhe ambasada e SHBA-së.

Ambasada amerikane apelon

“Jemi të inkurajuar të shohim angazhim më të gjerë politik lidhur me dialogun me Serbinë dhe shpresojmë se edhe partitë tjera opozitare do të vendosin të marrin pjesë”. Siç thotë presidenti Trump në letrën e tij, “Kosova duhet të shfrytëzojë këtë moment unik dhe të flasë me një zë të unifikuar”, citojnë mediet lokale në Prishtinë, një deklaratë të ambasadës së SHBA-së, ku thuhet më tej se “tash nuk është koha për të qëndruar anash e as për të krijuar pengesa ndaj zgjidhjes gjithëpërfshirëse”.

Reagimi i Vuçiqit

Serbien PK Präsident Aleksandar Vucic (picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic)

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke folur për letrën që e ka dërguar presidenti i SHBA-së, Donald Trump, te Vuciç dhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, thotë se “Donald Tramp, vetëm ka shfaqur dëshirën që problemi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të zgjidhet”. Sipas Vuçiq, “Presidenti amerikan, për herë të parë ka përmendur se po shikohet drejt një zgjidhje kompromisi”, ndërsa, thotë se “e vetmja pjesë në letër për të cilën mendoj se nuk është e vërtetë, është pjesa ku thuhet se Prishtina dhe Beogradi janë afër një marrëveshje. Ato nuk janë afër marrëveshjes”, citon medimi publik serb Aleksandar Vuçiqin.

Sidoqoftë, në Prishtinë po bëhen përpjekje që të unifikohet spektri politik kosovar, pozitë dhe opozitë, ku do të përfshihet edhe shoqëria civile, në një grup të vetëm negociator, që të diskutojë me Serbinë në fazën finale të dialogut me synimin e arritjes së një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, ashtu siç e kërkon edhe Bashkimi Evropian. Mirëpo, taksa 100 përqind e vendosur nga qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, ka bërë që Serbia ta ndërpresë dialogun me Prishtinën, derisa kjo e fundit ta heqë taksën. E qeveria në Prishtinë nuk e ka ndërmend që ta heqë taksën, deri sa, siç thotë, “Serbia ta ndalë agresionin politik dhe diplomatik ndaj shtetit të Kosovës”.

Thaçi: Pas marrëveshjes Greqi-Maqedoni, radhën e ka ajo Kosovë-Serbi

Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se Ekipi Negociator për dialog me Serbinë e ka legjitimitetin, sepse është votuar në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se “pas arritjes së marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë, tani është radha për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë”.

Thaç ka thënë se vullneti i komunitetit ndërkombëtar është që të arrihet një marrëveshje midis dy vendeve dhe se Kosova nuk duhet të krijojë vështirësi në këtë proces.

“Ne nuk duhet të krijojmë vështirësi duke befasuar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. As Serbia nuk ka të drejtë ta vështirësoj procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Procesi i dialogut do të fillojë dhe ne duhet të kemi një angazhim shumë dinamik i cili kërkon edhe vendimmarrje”, tha Thaçi në Klan Kosova.

“Tani Ekipi Negociator është zgjedhur nga Kuvendi dhe ne duhet që t’i mbështesim sepse e ka legjitimitetin. Prandaj sot askush nuk mund të ankohet për mungesë të legjitimitetit”.

“Ekipi për dialog me Serbinë duhet dhe do të punojë. Kanë dalë ide të ndryshme në të cilat duhet të punohet”.

Presidenti Thaçi ka thënë se partitë politike nuk duhet të fokusohen në çështje të vogla dhe teknike, por sipas tij, ata do të duhet të fokusohen në qëllimet strategjike të Kosovës.

“Duhet shumë ujë të rrjedhë nëpër lumenjtë tonë në mënyrë që të qetësohen gjakrat midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Pas arritjes së marrëveshjes midis Greqisë dhe Maqedonisë, tani është radha për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Nuk duhet të fokusohemi në çështje të vogla dhe teknike por duhet të fokusohemi në qëllimin tonë strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE”.

“Ky është vullneti masiv i qytetarëve të Kosovës dhe ne nuk duhet ta humbim këtë mundësi në asnjë çast”, ka thënë Thaçi.

Zeka – Hazirit: Qëkur vdiq Rugova, e gjithë LDK-ja jeni vetëm printer i Thaçit

Deputeti i Nismës, Milaim Zeka, ka pyetur nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri, se a është edhe ai printer i Thaçit. Kjo, pasi Haziri në një deklaratë ka thënë se Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti do të jenë “vetëm printues letrash të Thaçit”.

Zeka ka zgjedhur të replikojë ndaj Hazirit përmes Facebook-ut, duke shkruar se deklarata kontroverse e nënkryetarit të LDK-së është nga përvoja e gjatë e krerëve të kësaj partie, të cilët sipas Zekës që nga vdekja e Rugovës kanë qenë printeri i Thaçit.

“E Lutfi Haziri a është printer i Thaçit?! Deklarata kontroverse të nënkryetarit te LDK-se Luta, ne RTK, ka deklaruar se “Fatmir Lima dhe Shpend Ahmeti do jenë vetëm printues letrash te Hashim Thaçit”! Kjo deklarate është nga pervoja e gjatë e Lutës dhe e krerëve të LDK[-së, të cilët, qe prej vdekjes së Rugovës e deri me sot, gjithmonë kanë qenë printeri i presidentit Thaçi”, ka shkruar Zeka.

Ai tutje ka shkruar se Haziri bashkë me LDK-në e kanë mbajtur të fortë PDK-në dhe e kanë bërë president Thaçin.

“…Mirëpo Lutfi Hazirit i ka ‘shpëtuar’ një deklarate e vërtetë, edhe pse besoj qe e ka thënë shumë qëllimisht, për t’i dërguar një mesazh të fortë kryetarit të LDK se dhe kundërshtarëve të dialogut. Luta tha se: “Amerika dhe Brukseli e kanë thënë qartë se Thaçin e njohin për negociator”!!! E nëse Amerika dhe Brukseli po e dojkan Thaçin për negociator, pash Zotin Lutë, kush qenkan Isa Mustafa, Albin Kurti etj., me e mohu atë”, ka shkruar Zeka. /GazetaExpress

Prishtinë, mbahet mesha e Krishtlindjeve

PRISHTINË – Me meshën në katedralen Nënë Tereza në Prishtinë filloi shënimi i festës më të madhe krishtere, Krishtlindjet.

Mashës i parapriu një koncert i Krishtlindjeve të cilin e performuan fëmijët nga Prishtina. Në praninë e një numri të madh besimtarësh, Meshën solemne e drejtoi peshkopi i Kosovës, Dodë Gjergji.

Peshkopi Gjergji nga ana e tij tha se kjo festë karakterizohet mirësjellja dhe bashkëpunimi me njëri tjetrin, për të shtuar se nga këtu, nuk duhet pasur frikë nga dialogu i cili i paraprinë paqes, pajtimit dhe të mirës së përbashkët.

Me meshën në katedralen Nënë Tereza në Prishtinë filloi shënimi i festës më të madhe krishtere, Krishtlidjet. Mashës i parapriu një koncert i Krishtlindjeve të cilin e performuan fëmijët nga Prishtina. Në praninë e një numri të madh besimtarësh, Meshën solemne e drejtoi peshkopi i Kosovës, Dodë Gjergji. ( Erkin Keçi – Anadolu Agency )

Siç tha Gjergji, dijalogu nuk duhet të krijojë lodhje, dhe askush nuk duhet ta abuzojë dialogun, ose të mohojë nevojën për të.

“Ftoj popujt e Evropës, të cilët janë të organizuar brenda institucioneve shoqërore, politike apo ekonomike, të jenë më të drejtë dhe të kenë më shumë besë te shqiptarët”, theksoi Gjergji.

Krishtlindjet Katolike njihen si festë zyrtare në Kosovë, për çka dita e sotme është ditë jo pune.

Rukiqi: Kosova ka investimet e huaja direkte më të ulëta në rajon

PRISHTINË – Rritja e taksës 100 për qind mbi importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ka çuar në ngritjen e vetëdijes në lidhje me nevojën e blerjes së prodhimeve vendore, konstatoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në konferencën vjetore për shtyp.

Duke vlerësuar vitin që po shkon, Rukiqi tha se është regjistruar një trend pozitiv i rritjes ekonomike dhe se në vitin 2018 rritja ekonomike ishte 4,2 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishte 3,7 për qind. Si pozitive, ai theksoi reformën fiskale, e cila në veçanti ndihmoi sektorin e prodhimit.

“Sot 650 kompani të prodhimit përfitojnë nga ndryshimi në politikën fiskale dhe në shumicën e rasteve në mesin e këtyre 650 kompanive kemi trend pozitiv të rritjes së prodhimit. Kemi edhe trend pozitiv të rënies së shkallës kamatore dhe përafërsisht jemi në nivelin rajonal, por edhe këtu kemi nevojë të pasurojmë instrumentet bankare për të mbështetur kompanitë”, tha Rukiqi.

Ai theksoi se megjithëse ende nuk ka një vlerësim të plotë të efekteve të ngritjes së taksës prej 100 për qind mbi importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është evidente se ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit për nevojën e blerjes së produkteve vendore dhe produkteve alternative nga vendet e tjera.

“Kjo ngritje e vetëdijes është efekti më pozitiv i rritjes së taksës meqë krijohet stabilitet edhe në orientimin e konsumatorëve, ndërsa mund të krijojë stabilitet edhe në sektorin tonë të prodhimit. Si ngritje të vetëdijes e konsideroj edhe faktin se shumë kompani tona kanë riorientuar politikat afariste në kërkimin e mundësisë në vendet tjera”, tha Rukiqi.

Sa i përket investimeve të huaja, Rukiqi tha se, pavarësisht numrit të madh të markave që kanë hyrë në vend këtë vit, edhe më tej ka investime më të ulëta direkte qoftë në vlerë të përgjithshme, qoftë për kokë banori në rajon. Rukiqi tha se Kosova financon rreth 400 milionë euro skema sociale, që nuk prodhon asnjë vend pune, në vend që të përdorë 100 deri në 150 milionë nga skema sociale për të nxitur investimet e huaja direkte, të cilat do të çonin në krijimin e të paktën 10 mijë vendeve të reja të punës.

Ai theksoi se ekonomia gri dhe konkurrenca e padrejtë paraqesin pengesat kryesore për zhvillimin ekonomik dhe për këtë shkak Oda Ekonomike e Kosovës vitin e ardhshëm do ta shpall vit të luftës kundër ekonomisë gri. aa

Të mërkurën Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për dialogun

Të mërkurën (26 dhjetor), Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi dokumentin e përgatitur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si “Draft marrëveshja gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë”.

Seanca është thirrur me kërkesën e 40 deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërkaq, sot Qeveria e Kosovës po ashtu ka miratuar Projektligjin që përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Po ashtu, Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar një rezolutë mbi procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson këtë proces, ka kërkuar nga të dyja palët që në fund të dialogut të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, e cila veç tjerash, pritet t’u hapë perspektivën evropiane të dyja vendeve.

Presidenti Thaçi takon ekipin negociator për dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot me Fatmir Limajn dhe Shpend Ahmetin, të cilët bashkëkryesojnë ekipin negociator, për dialogun me Serbinë.

Në një komunikatë për media nga presidenca thuhet se “presidenti Thaçi me bartësit e ekipit negociator të Kosovës kanë biseduar edhe për domosdoshmërinë e vazhdimit të koordinimit përgjatë procesit të bisedimeve dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, e cila Kosovës duhet t’i sigurojë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, thuhet në njoftim.

Sipas presidentit Thaçi, ky moment duhet të shfrytëzohet si dhe “është e nevojshme të forcohet edhe më shumë uniteti politik dhe të flitet me një zë për Kosovën”.

Partitë e koalicionit qeverisës së bashku me partinë opozitare, Partinë Socialdemokrate, janë pjesë përbërëse e ekipit negociator për fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në krye të përvjetorit të LDK-së, ish anëtari i Komitetit Krahinor të LKJ-së – Nga Isuf B.Bajrami

Lidhja Demokratike e Kosovës, shënoi përvjetorin e themelimit. Kryetari i tanishëm i kësaj partie, Isa Mustafa, në atë kohë ishte akoma në përbërje të Komitetit Krahinor të LKJ-së!

Lidhja Demokratike e Kosovës u themelua me 23 dhjetor 1989.

 

Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku në emër të Këshillit nismëtar dhe të Kryesisë së punës, Programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Statutin e saj e lexoi Jusuf Buxhovi.

Në këtë Kuvend, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh Ibrahim Rugova, sekretar – Jusuf Buxhovi, kurse  anëtarë të Kryesisë,  Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Nekibe Kelmendi, Ali Aliu dhe Mehmet Kraja.

Në këtë kuvend kanë marrë pjesë:

1 .Dr Ibrahim Rugova,

  1. Jusuf Buxhovi.
  2. Akademik Idriz Ajeti,
  3. Akademik Dervish Rozhaja,
  4. Fehmi Agani,
  5. Zenel Kelmendi,
  6. Ali Aliu,
  7. Ymer Jaka,
  8. Nekibe Kelmendi,
  9. Xhemail Mustafa,
  10. Arbër Xhaferi,
  11. Mehmet Kraja,
  12. Milazim Krasniqi,
  13. Abdyl Krasniqi,
  14. Sylejman Syla,
  15. Hysen Matoshi,
  16. Neshet Nushi,
  17. Hysen Zhekra,
  18. Agni Ilir Dika,
  19. Luljeta Buxhovi,
  20. Evliana Bajqinovci,
  21. Vesta Nura,
  22. Ajri Begu,
  23. Hasan Hajzeri,
  24. Fatmir Sejdiu,
  25. Fehmi Rexhepi
  26. Sejdullah Hoxha,
  27. Muharrem Ramabaja,
  28. Fetah Ademi,
  29. Suzana Hajzeri,
  30. Sylejman Aliu,
  31. Ilaz Bylykbashi,
  32. Ali Mehmetaj,
  33. Sali Sefaj,
  34. Ahmet Kelmendi,
  35. Florent Neka,
  36. Ismail Gashi,
  37. Ramadan Sejdiu,
  38. Ibrahim Berisha,
  39. Rami Hoxha,
  40. Jusuf Rexhepi,
  41. Bahrije Krasniqi,
  42. Shefqet Gashi,
  43. Mon Muliqi,
  44. Ejup Kolica,
  45. Milaim Kadriu,
  46. Sadi Bexheti,
  47. Luan Pula,
  48. Daut Blakaj,
  49. Ylber Hysa,
  50. Haxhi Mehmetaj,
  51. Rexh Mehmetaj,
  52. Nehat S. Hoxha,
  53. Demë Topalli,
  54. Hamdi Gërguri,
  55. Sali Zekaj,
  56. Qamil Batalli,
  57. Rexhep Hajdari,
  58. Shemsi Sh. Gërguri,
  59. Ejup Latifi,
  60. Bajrush Plakaj,
  61. Ali Krasniqi,
  62. Petrit Dushi,
  63. Abit Asllani,
  64. Lutfi Bilalli,
  65. Selman Mehaj,
  66. Isak Murati,
  67. Nehat Krasniqi,
  68. Ragip Veseli,
  69. Abdyl Ramaj,
  70. Xhafer Xhaferi,
  71. Binak Kelmendi,
  72. Islam Veliu,
  73. Halil Matoshi,
  74. Mentor Jakupi,
  75. Bejtush Isufi,
  76. Lutfi Dervishi,
  77. Salih Krasniqi,
  78. Skënder Kada,
  79. Isuf Hakaj,
  80. Faik Polloshka,
  81. Abdyl Kadolli,
  82. Gani Mehmetaj,
  83. Islam Ejupi,
  84. Agron Haxhosaj,
  85. Ndue Kurti,
  86. Mehmet Gashi,
  87. Skënder Zogaj,
  88. Ibrahim Kelmendi,
  89. Selajdin Krasniqi,
  90. Bujar Mirsini,
  91. Zenun Çelaj,
  92. Fikrije Mirsini,
  93. Behram Krasniqi,
  94. Abdullah Osmani,
  95. Xhafer Hyseni,
  96. Mehedin Rexhepi,
  97. Munish Hyseni,
  98. Abdyl Mustafa,
  99. Adem Hasanaj,
  100. Rrahman Bislimi,
  101. Milaim Kelmendi,
  102. Flamur Keqa,
  103. Fatos Aliu,
  104. Rizah Krasniqi,
  105. Rifat Krasniqi,
  106. Musa Tullari,
  107. Haqif Sh. Mulliqi,
  108. Ali N.Duli,
  109. Haki Mulliqi,
  110. Abdyl Zhaveli.
  111. Basri Gojani,
  112. Zaim Istrefi,
  113. Kadri Zhuta,
  114. Mizhait Pollozhani,
  115. Ramadan Muharrem Maloku,
  116. Rexhep Sahit Osmani,
  117. Rihan Ismaili,
  118. Ramiz Fazliu,
  119. Hazir Reka

Amar Lenjani, gjeniu 6-vjeçar nga Kamenica që flet 7 gjuhë

Amar Lenjani nga Karaçeva, fëmija superior me koeficient të inteligjencës 131

Telefonin e mban në dorë në mënyrë që të arrijë të identifikojë të gjitha flamujt e shteteve që i gjen në bazë të aplikacioneve telefonike.

Amar Lenjani gjashtë vjeçari nga Karaçeva e Kamenicës është fëmija superior i cili di të flasë 7 gjuhë të botës, raporton T7.

Përpos shqipes dhe anglishtes gjuhë e veçante për të janë edhe rusishtja e greqishtja.

Amari i cili duket se është poliglot di edhe të shkruaj shumë mirë gjuhët që i flet.

GJENIU 6 VJEÇAR QË FLET 7 GJUHË

“Flas anglisht, gjermanisht, rusisht, greqisht, indisht, portugalisht,serbisht”, ka treguar Lenjani.

Ai madje edhe pse është gjashtë vjeçar arrijnë të di se kush udhëheq me qeverinë e kush është president i Kosovës.

“Kryeministër i Kosovës është Ramush Haradinaj, e presidenti është Hashim Thaci”, ka thënë Amari.

Gjashtëvjeçari superior di që alfabetin e gjuhës angleze të shprehë edhe me gjuhën e shenjave.

Vijimi i mësimeve në klasën e parë tashmë për të nuk është interesant sepse ai ka dëshirë të jetë dy klasa më lartë se sa që është aktualisht.

“Unë du me shku në klasë tretë se aty mëson ma shumë matematik, e klasa e parë nuk është shumë e mirë”, është shprehur gjashtë vjeçari.

E kjo është vërtetuar edhe nga psikologët të cilët i kanë matur atij inteligjencën.

Inteligjenca e gjashtë vjeçarit është 131 IQ.

Prindërit tregojnë që djali i tyre ishte i veçantë qysh kur ishte edhe më i vogël.

“Amari kur ka qenë katër vjeçar ka ditë me shkrujt e me fol anglisht po edhe shqip. Në fillim na ka fol veç anglisht, për neve ka qenë e vështirë sepse ne jo krejt e kemi ditë anglishten”, ka treguar për T7 dhe Gazetën Express nëna e Amarit, Valmira.

Madje ajo tregon se rekomandimi i mësueses së Amarit ishte që të bënte një test psikologjie.

“Kur Amari ka nis shkollën, klasën e parë mësuesja ka pas me të probleme se nuk iu ka dok shkolla interesant e as mësimet. Mësuesja e ka vrejt që Amari osht ma i vecant se nxansat e tjerë edhe na ka rekomandu me qu me ja bo një test. Testi i intelegjencës i ka dal 131 IQ, e që e bënë këtë fëmijë superior”, ka thënë Valmira Lenjani.

Dëshira e Amarit është që kur të rritet t’i shërbej atdheut nën uniformën e ushtrisë së Kosovës.

“Unë kur të rritem du me u bo ushtar”, shprehte vazhdimisht këtë dëshir gjashtë vjecari.

Amari i cili ligjërisht gëzon moshën gjashtë vjeçare sipas raportit mjekësor ai duhet të jetë 8.10 vjec.

Fëmijët si Amari në Kosovë janë të rrallë por që kanë mungesë të përkrahjes institucionale.

Mustafa kritikon ekipin negociator të Qeverisë për dialogun me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se partia e tij mbështet procesin e dialogut, i cili, sipas tij duhet të përmbyllet me marrëveshje përfundimtare, e cila do të sigurojë njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa këto komente i bëri në një ceremoni për shënimin e 29-vjetorit të themelimit të LDK-së.

“LDK vlerëson se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të arrihet pa cenuar shtetësinë e Kosovës, të përcaktuar me deklaratën e pavarësisë, me Kushtetutën e Kosovës, ndërkaq kufijtë, integriteti territorial, nuk mund të jenë temë e dialogut me Serbinë”, tha Mustafa.

Ekipin negociator për dialogun që ka krijuar koalicioni qeverisës së bashku me partinë opozitare, Partinë Socialdemorkate, Mustafa e konsideroi si “ekip hibrid”.

“LDK konsideron se arnimet të cilat po përpiqet t’i bëjë koalicioni qeverisës, me ekipe hibride dhe jolegjitime, janë shprehje se Qeveria aktuale ka pranuar pafuqinë e saj për dialogun dhe mungesën e shumicës. Arnimi me një parti, që nuk peshon më shumë se 3 për qind të besimit qytetar, nuk mund t’i shitet Brukselit si grup i unitetit me opozitën dhe as përfaqësim me opozitën”, tha Mustafa.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Në këtë dialog, Kosova aktualisht përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi. Qeveria së fundmi ka kërkuar që të marrë rolin prijës në dialog, duke krijuar një ekip së bashku me partinë opozitare, PSD, me qëllim që të bashkëkryesojë këtë proces. Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun politik në Bruksel, ka kërkuar që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila do t’iu hapte edhe perspektivën evropiane të dyja shteteve.

Më 23 dhjetor 2015 vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe

Gjykata Kushtetuese më 23 dhjetor të vitit 2015, ka marrë vendim në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe.

Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshje u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin  3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë është dhënë aprovimi për të vazhduar me themelimin e Asociacionit dhe kjo krejt i është lënë në dorë Qeverisë së Kosovës dhe dekretit që pritet të miratohet dhe dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre” , thuhet në vendimin e GJK-së.

SKANDALOZE: PRESIDENCA: KRYEMINISTRIN E JAPIM, MOGHERININ S’E JAPIM!! – Nga BINAK MAXHARRAJ

 

Sot nga Presidenca na doli një sihariq i ri kur Presidenca është
kundër Kryeministrit te vetë duke e mbeshtet Mogherinin.

Këte sihariq na e servoi sot telalli në Presidencë Bekim Çollaku, shef
i stafit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se në
takimet zyrtare, formale dhe joformale asnjëherë nuk është vërejtur
një nuancë njëanshmërie.

Shumë analist Boteror dhe Evropian,evrodeputet dhe deputet te
Parlamentit BE si dhe shumë analist opinionist,shoqeria
civuile,partitë politike dhe Qeveria e Kosovës po edhe populli po e
shehë se ne takimet formale dhe joformale,jo nga toka,por bile dhe nga
hana janë vrejtur dallimet e Fedrica Mogherinit midis Kosovës dhe
Serbisë.Haptas është vrejtuar anshmeria kah Serbia.

Aq miope na qenka kjo Presidenca e jonë sa qe të gjihtë i kanë vrejtë
këto nuanca njeanshmeria,pos Presidencës tonë.

Nuk ka nevojë te ja numëroi këto nuanca,sepse edhe Presidenca i dinë
edhe vetë por marohet së nuk i dinë,sepse kështu po i konvenon.Po ia
numroi disa:
A është zbatu Mareveshja për mospengimin ne anëtarësimin e Kosovës
nepër Organizatat nderkombëtare,Mareveshja për enrgjin,për te
pagjeturit,për diplomat,për levizjën e lirë,për heqjen e strukturave
te dyfishëta të sigurisë,për lëshimin e urës së Imbrit, jo asnjera nga
këto nuk janë zbatu.

Të gjitha këto Marveshje Serbia as sot e kësaj dite nuk i zbaton.Ju te
Presidences heshtni siç keni heshtë gjithëmonë.E mos zbatimi i këtyre
Marëveshjeve ka shkuar ne damë te Kosovës,te shtetit në te cilin ju
jeni në Krye.

Na thoni ju te Presidencës së pse z.Mogherini nuk i ka reaguar
asnjëherë Serbisë për moszbatimin e këtyre Marëveshjëve,pse Ju te
Presidencës nuk këni reaguar,pse veç ju e dini.

U deshte te ragojë Qeveria për të gjitha këto njeanshemri ne dobi te
Serbisë edhe në damë të Kosovës duke e vu taksën 100% ne produktet e
Serbisë.E beri këte sepse dikush duhet ti dal zot vendit.Kur nisi te
funksionoj kjo taksë e preferuara e juaj z.Mogherini u qartë,u
prish,lëshoj ultimatume për hrqjen e taksesë,prej se cilës ka dobi
vendi i jonë.Është një taksë e drejtë sovrane e shtetit tonë,dhe nuk
duhet të hiçët.

Dhe krejtë në fund Presidenca e ka vendin dhe rolin e vetë Kushtetues
me shumë si keshilldhanëse,kurse roli ekzekutiv ne pruarjen e
vendimeve zhvillimore i takonë ekskluzivisht Qevrisë sepse janë ne
kompetencen e saj.

Prandaj ti dalish zot njeriut i cili thjeshtë banë nuanca ne dialog, e
ta sulmosh Qeverin me Kryeministrin ne krye me Ramush Harajdinaj është
diçka skandaloze,e tmershme mbas edhe e turpshme.

Bahtiri: Të hënën nis peticioni për bashkimin e qytetit të Mitrovicës

PRISHTINË – Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri njoftoi se të hënën do të fillojë mbledhjen e peticionit nga qytetarët për bashkimin e qytetit të ndarë të Mitrovicës.

Në një konferencë për media pas tryezës së rrumbullakët me qytetarët lidhur me nismën për të filluar një peticion për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri tha se qytetarët do të nënshkruajnë peticionin për anulimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës nga viti 2007 për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna, Jugore dhe Veriore.

Mitrovica, që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999 është ndarë në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serbe, ndërsa procesi i decentralizimit të pushtetit në Kosovë, në bazë të pakos së Ahtisaarit të vitit 2007 Mitrovicën e ndanë në dy komuna.

“Sot së bashku me qytetarët sollëm vendimin që të hënën të fillojmë nënshkrimin e peticionit për anulimin e vendimit për ndarjen e Mitrovicës dhe bashkimin e saj që të jetë e përbashkët për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht kombësisë së tyre”, tha Bahtiri.

Duke komentuar mbi qëndrimin e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale të Kosovës se kërkesa e këshilltarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut për bashkimin e komunave veriore dhe jugore është i paligjshëm, Bahtiri deklaroi se ky është një vlerësim politik për shkak se në krye të kësaj ministrie është një ministër nga komuniteti serb.

Ai gjithashtu tha se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka gabim kur thotë se komunat nuk kanë të drejtë të marrin vendime të tilla, duke shtuar se komunat kanë të drejtë t’u drejtohen institucioneve të Kosovës me kërkesat e tyre. aa

KMDLNJ kërkon shkarkimin e Pacollit nga pozita e ministrit të Jashtëm

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta shkarkojë Behgjet Pacollin nga pozita e ministrit për Punë të Jashtme, për shkak të siç është thënë “fjalorit denigrues, fyes, racist dhe seksist” të përdorur gjatë raportimit para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ky Këshill i është referuar deklaratës së Pacollit në këtë Komision pasi Kosova nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Agjencinë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL).

“Shprehjet e z. Pacolli para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme si: ‘Serbia ka angazhuar 10 vajza të bukura, të veshura mirë të cilat kanë shkuar në tavolinë duke i përqafuar (zezakë!!!) dhe duke ua lënë një zarf në tavolinë… përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut duke fyer në baza ekskluzivisht raciste ( zezakë!!!) përfaqësues të shteteve, anëtarë të INTERPOL – it, me të drejtë vote”, është thënë në një komunikatë për media të këtij Këshilli.

Përveç tjerash, KMDLNJ ka vlerësuar se nëse Qeveria e Kosovës nuk merr masa ndaj Pacollit përgjegjësia mbetet tek anëtarët e Qeverisë.

Kosova nuk ka arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi nuk ka marrë shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që është mbajtur në Dubai në muajin nëntor.

LDK kundër ekipit negociator në dialogun me Serbinë, kërkon zgjedhje te reja

Shefi i Grupit Parlamentar në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar në partinë Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë të premten në një konferencë për media se LDK-ja, nuk e pranon ftesën e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli njëherësh kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, që LDK-ja të bëhet pjesë e grupit negociator në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se koalicioni qeveritar po mundohet “të arnohet” me votat e një partie politike opozitare.

Me këtë ai i është referuar Partisë Sociademokrate, e cila sipas tij “votat i ka fituar nga një parti tjetër opozitare”.

“Ekipi dialogues ka marr vetëm 59 vota që nuk përbëjnë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht kësaj, ta kenë të qartë se dialogu nuk mund të udhëhiqet as nga partia e shtatë në Kuvendin e Kosovës e as nga ata që kanë mandate të huaja në Kuvendin e Kosovës. Dialogu nuk mund të udhëhiqet me platformë apo ligj që tejkalon Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Hoti.

Përveç tjerash, ai ka thënë se legjitimiteti nuk fitohet me tryeza politike dhe se ftesa e Veselit është përpjekje për të fituar legjitimitetin e munguar të koalicionit PAN, [Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA].

“Ne i kemi dhënë mundësi koalicionit PAN përmes tryezave që të dakordohemi, por arroganca e tyre ka bërë që të mos ketë konsensus”, është shprehur Hoti në një konferencë për media.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ka ftuar në një takim të përbashkët presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare që nuk janë përfshirë në ekip, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne nuk jemi duke hyrë në procesin e dialogut për ta ribërë shtetin e Kosovës. Ekipi i dialogut është qeveria legjitime me rolin kyç të opozitës dhe të shoqërisë civile”, ka shtuar Hoti.

Pos tjerash ai ka thënë se koalicioni qeveritar, duhet të pranojë se nuk ka fuqi politike për ta udhëhequr institucionet e një vendi.

Sipas tij zgjidhja e duhur në këtë kohë është që të gjithë të takohen dhe të flasin për caktimin e një date për zgjedhjet e reja.

Grabovci dhe 11 të akuzuarit e tjerë të “Prontos” dalin sot përpara gjyqit

Adem Grabovci së bashku me njëmbëdhjetë të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’, sot pritet të dalin para gjyqit. Kujtojmë se muajin e kaluar është mbajtur shqyrtimi fillestar me ç’rast i akuzuari Adem Grabovci, Besim Beqaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e njohur si afera ‘Pronto’.

Duhet të theksojmë se gjatë shqyrtimit fillestar aktakuza nuk është lexuar fare, kjo për shkak se të akuzuarit dhe avokatët kanë kërkuar që të mos lexohet aktakuza, edhe përkundër faktit se prokurorja speciale Drita Hajdari kërkoi që ta lexoj aktakuzën, Gjykatësi Shashivar Hoti kishte vendosur që me pajtimin e të akuzuarve, aktakuza të konsiderohej si e lexuar.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Rasti është duke u gjykuar nga gjykatësi Shashivar Hoti, ndërsa aktakuzën e Prokurorisë e përfaqëson prokurorja speciale Drita Hajdari.

Përndryshe, ky rast ishte publikuar nga mediat, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i Prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

Fillon fushata për legalizimin e armëve në Kosovë

PRISHTINË – Ministria e Punëve të Brendshme ka filluar sot fushatën për legalizimin e armëve, një procesi cili filloi më 17 dhjetor dhe do të zgjas deri më 17 qershor të vitit 2019. Fushata mbështetet nga misioni i UNDP-së në Kosovë në partneritet me Qeverinë e Gjermanisë.

Zëvendësministri i Brendëshëm i Kosovës, njëherësh koordinator i Strategjisë për kontrollimin e armëve të vogla dhe të eksplozivëve, Izmi Zeka, deklaroi se kjo është hera e parë që në Kosovë legalizohen armët, numri i të cilëve vlerësohet në 200 mijë. Ai u bëri thirrje qyetarëve të shfrytëzojnë këtë mundësi të dorëzojnë ose legalizojnë armët, pasi siç tha, prania e pakontrolluar e armëve është një rrezik i madh për jetën e qytetarëve.

“Këtë vit, Republika e Kosovës në bashëkpunim të ngushtë me UNDP-në dhe partnerët ndërkombëtarë ka bërë përparim të dukshëm në fushën e armëve të vogla dhe të lehta. Progres i dukshëm është bërë në kornizën institucionale dhe legjislative si dhe te zhvillimi i kapaciteteve. Përkundër përparimit në luftën kundër abuzimit me armët dhe tregtisë së paligjshme, mbetet shqetësimi për sigurinë publike të Republikës sonë dhe rajonit”, tha Zeka.

Policia e Kosovës tha Zeka, nga viti 2008 ka sekuestruar rreth 14 mijë armë, dhe ka shkatërruar 10 mijë sosh, me çka armët ilegale janë ulur me 34 për qind.

Drejtori i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës, Riza Shillova, nga ana e tij tha se policia është pjesë e mekanizmit për legalizimin e armëve, për çka tha se janë mobilizuar të gjitha struktrat brenda policisë për të zbatuar detyrimet ligjore për dorëzimin dhe legalizimin e armëve.

Ai tha se qytetarët do të mund të paraqiten në stacionin më të afërt policor ku do të pranohen nga persona të specializuar për këtë proces.

“Këtë vit kemi pasur 31 vrasje, këto janë krime të kryera me armë zjarri, dhe për këtë arsye duam që efektet e kësaj fushate apo të këtij ligji, të zvogëlojnë krimet, të zvogëlojnë vrasjet që janë një nga krimet më serioze me të cilat përballemi”, tha Shillova. aa

Kosova importon lëndë të parë nga Serbia, por jo edhe mallrat tjera (tabela)

Nadie Ahmeti

Katër javët e para që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën doganore 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, kanë dëshmuar rënie të lartë të importit të këtyre mallrave në tregun e Kosovës.

Sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, nga data 21 nëntor, kur ka filluar të zbatohet vendimi i Qeverisë se Kosovës, nga këto shtete janë zhdoganuar 174 kamionë (145 nga Serbia dhe 29 nga Bosnja kamionë) , kryesisht lëndë e parë për prodhuesit kosovarë, të cilët kanë paguar taksën mbrojtëse mbi 290 mijë euro(250 mijë nga Serbia dhe 41 mijë euro nga Bosnja Hercegovina).

Kurse në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë kishin hyrë nga 2800 deri në 3000 maune me produkte të ndryshme, me një vlerë prej 35 milionë eurosh. Këtu janë përfshirë edhe maunet me produkte nga këto dy shtete, por edhe ato ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe Bosnje, ka treguar për Radion Evropa e Lirë, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës.

Përfaqësues të komunitetit të prodhueseve në Kosovë janë shprehur se tarifa doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës i ka dhënë efektet e veta në ekonominë e përgjithshme të Kosovës. Një nga efektet, sipas tyre, është rritja e prodhimit vendor.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pas vendosjes së taksës, kompanitë prodhuese vendore kanë pohuar se kanë rritje të kërkesës për produktet e tyre dhe njëherësh tashmë kanë rritur edhe numrin e punëtorëve.

Ai thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të zmbrapset nga vendimi për tarifën, për shkak se këto shtete nuk kanë pasur qasje të duhur ndaj prodhueseve të Kosovës.

“Ne kemi kërkuar reciprocitet për shkak të qasjes së Serbisë ndaj prodhuesve të Kosovës. Për ne është më rëndësi që të ketë korrigjim të ekonomisë brenda territorit të Kosovës. Ne e kemi thënë edhe në të kaluarën një prej problemeve ka qenë Serbia. Por, kemi problem edhe të importueseve të mëdhenj në Kosovë, të cilët vazhdojnë të favorizojnë produktet e importit dhe jo produktet vendore. Por, unë besoj se pa ndryshuar qasja e Serbisë ndaj sektorit të ekonomisë së Kosovës, sidomos prodhimit, atëherë nuk i rekomandoj Qeverisë se Kosovës që të largojë këtë taksë”, tha Panxha.

Ndryshe Qeveria e Kosovës, deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, e cila vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht faktit se ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë.

Por, edhe mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që të hiqet taksa, duke e konsideruar atë si shkelje të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq ka përsëritur qëndrimin se tarifa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës, nuk do të hiqet deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai ka thënë se ky qëndrim do të mbetet i pandryshuar pavarësisht se kush është kryeministër apo ministër i Tregtisë.

Kurse Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit do të vazhdojnë vetëm kur të tërhiqet tarifa.

Ai këto komente i ka bërë gjatë takimit në Brukseludhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor më zyrtarë të BE-së, që është mbajtur me ftesë të Shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

LDK-ja do të përkrahë dialogun pa u përfshirë në ekipin negociator

Nga mbledhja e kryesisë së LDK-së, Isa Mustafa (në mes) Lutfi Haziri (djathtë) Agim Veliu (majtas)

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta përkrahë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa u përfshirë në ekipin negociator.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se kjo parti nuk do të bëhet pjesë e grupeve “informale” të cilat janë themeluar se fundmi nga ana e Kuvendit, por do të kontribojë me diskutime, si dhe do të vlerësojë në fund, nëse do të pranojë ose jo, ta votojë marrëveshjen e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë.

“Çdo marrëveshje do të arrijë në Kuvend, dhe çdo marrëveshje nuk kalon me 59 vota, por kërkohen 80 vota, pra shumicë meritore për të miratuar një marrëveshje ndërkombëtare. LDK-ja do ta japë kontributin duke dhënë mendimin e vet nëse do ta ratifikojë ose jo këtë marrëveshje. Nëse do të kemi transparencë në dialog ne do të kyçemi, por nuk do të bëhemi pjesë në grupe të cilat për ne janë informale” tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, e vlerësoi lart letrën e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, drejtuar presidentit Hashim Thaçi. Mustafa tha se Lidhja Demokratike e vlerëson miqësinë dhe interesimin e Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, që procesi i dialogut të shkojë përpara dhe të jetë në interes të vendeve që janë pjesë e tij.


Send this to a friend