Mjaftoj një “kollitje” e lehtë e ambasadorit amerikan Philip Kossnet, e cila e detyroj presidentin Thaçi të zhbllokoj punën e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).
Pra, vendimi i Thaçit për zhbllokimin e KQZ-së nuk erdhi si dëshirë, por si rezultat i presionit, gjegjësisht kërkesës së prerë dhe ultimative të ambasadorit amerikan Kossnet.
Rasti i zhbllokimit të KQZ-së është treguesi më i mirë se pa mbikëqyrjen e plotë amerikane, shteti ynë do të degradoj edhe më shumë, për shkak se pushtetarët po vazhdojnë të jenë mbi ligjin si dhe kontrollojnë e sundojnë çdo institucion të shtetit prej nivelit lokal e deri të ai qendror, në të tria shtyllat e pushtetit.
Mbase kjo nuk do të jetë “kollitja” e fundit e ambasadorit amerikan, për arsye lidershipi ynë është i papërmirësueshëm, dhe se vetëm me presion dhe kërkesa ultimative të SHBA-së mund të ndryshojnë vendimet kapriçioze të tyre.
Populli i Kosoves mbështetjen e vetme e ka tek Amerika dhe tek ambasadori amerikan, Kossnet, i cili tani shihet si shpresa e vetme që të ndryshoj diçka pozitive në Kosove.
Po shihet qartë, se Kosova ka nevojë për mbikëqyrje të plote amerikane edhe në vitin 2019, ashtu siq ka pasur nevojë per Ameriken ne vitin 1999, kur edhe me ndihmen e tyre populli i Kosovës u shpëtua nga regjimi kriminal i Milosheviqit.
Qytetarëve të vendit vendit tonë u ka mbetur vetëm një shpresë për dalje nga kriza moralo-potike, gjegjësisht nxjerren institucioneve të shtetit nga prangat e uzurpatorëve.
Pra, qytetarët janë në pritje të “kollitjes” së radhës së ambasadorit amerikan për fillimin e VETTING-ut mbi sistemin e drejtësisë dhe ndaj institucioneve më të larta të shtetit, për krijimin e kushteve normale për funksionim të mirëfilltë të ligjit dhe drejtësisë, kusht themeltar ky për krijimin e barazisë ligjore dhe demokratizmit të vendit sipas standardeve evroperëndimore.
Në të njëjtin prizëm ishte edhe deklarata e fundit e mbasadorit të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet në Skenderaj:“Nuk është normale që Qeveria e Zvicrës të financojë ujësjellësin këtu, sepse e dimë që ekzistojnë të holla edhe në këtë vend. E dimë se vlera e këtij projekti është përafërsisht 2.5 përqind e vlerës së buxhetit për veteranët e luftës. Nëse paratë ruhen e nuk financohen veteranë të rrejshëm, do të mund të ndërtoni më shumë se një ujësjellës”.
Përderisa ambasadorët e shteteve më të fuqishme botërore, si ai amerikan, britanik, gjerman, zviceran, etj., distancohen nga veprimet e produkteve të prishura vendore, çfarë presim tutje ne si qytetar të Kosovës që nuk reagojmë ndaj dukurive sa negative po aq vrastare për të ardhmen e shtetit tonë, vallë u dashka të ndodhë edhe ndonjë “apokalips” i përgjithshëm për të kërkuar dritën e diellit në errësirën politike kosovare!
“Troja” e thirri ndërgjegjën e popullit
Një ndër këngëtarët që përcjellën mesazhe dhe paraqitën jetën rale të popullit në Kosovën e pasluftës janë pjestarët e Rok-grupit-“Troja”. Ata, para afro dhjetë vjetësh përmes vargjeve të këngës “Amaneti i Clown”-it i dhanë mesazhe të qarta për popullatën vendore.
Përmes vargjeve: “Kush janë këta njerëz që s’janë shkollue, nuk kanë mësue që njeriu nuk ban shpinë e vet mi vjedhë…”, i bëhet thirrje ndërgjegjës së popullit që të jenë të kujdesshëm se, prapa kujtë po shkojnë, apo nga kush po drejtohet shteti!
Pra, ishte kjo një nga mënyrat e shprehjes së pakënaqësisë për gjendjen e krijuar në Kosovë. Ishte kjo një shprehje e shpirtit të pastër patriotik që vuante padrejtësitë e kohës, të shprehur përmes vargut; “Kisha dashtë diçka me ndrrue-të k’ta njerëz që djellin ma kan nal…”.
Po ashtu, “Troja” para 10 vjetësh bëri thirrje për bashkimin e forcave progresive, për largimin e produkteve të prishura politike përmes vargjeve; “Janë k’ta njerëz që vet nuk muj me i nal”, janë këto vargje që thërrasin si kushtrim për ndërgjegjën qytetare dhe gjitha forcat përparimtare për të sjellë në pushtet vlerat njerëzore dhe kombëtare, e sidomos tani kur në Kosovë është krijuar një gjendje e paqartë politike në përmbyllje të dialogut të Brukselit i cili e bën akoma më të paqartë të ardhmen e vendit tonë.
Realiteti i ditëve të sotme, përgjigja më e mirë
Edhe pse për 20 vite kemi pasur pushtete të ndryshme në Kosovë, edhe pse ka ardhur në pushtet një parti dhe ka dalë një tjetër, nuk ka ndryshuar pothuajse asgjë sa i përket qeverisjes së vendit, për shkak aktorët kryesor të skenës politike kanë mbetur të njëjtit që ishin para 20 viteve.
Kosova tashmë ndodhet në dekadën e dytë të qeverisjes nga antivlerat, nga politikanët e papërgjegjshëm dhe injorantë si dhe bashkëpunëtorët e djeshëm dhe mercenarët e sotshëm të Serbisë, të vendosur në hallkat kryesore të shtetit, si në sistemin e drejtësisë, në politikën e brendshme dhe në politikën e jashtme dhe jo vetëm, të tillë janë të emëruar nëpër gazeta dhe mediume televizive.
Askush nuk e kishte menduar se Kosova 20 vjet pas lufte do të ndodhet në një situatë kaq dëshpruese, ku i madh e i vogël shikojnë çdo mundësi për të ikur sa më larg nga ky vend dhe nga këta pushtetarë të inkriminuar, që Kosovën e kanë shndërruar në oazë të krimit të organizuar e korrupsionit, dhe në një shtet ku politika e kriminalizuar luan bixhoz me shtetin si me një plaçkë lufte dhe me qytetarët thuajse janë lodër për të kënaqur egon e tyre personale!
Pra, qytetarët e lodhur me pushtetarët milionerë, të korruptuar dhe tejinkriminuar kosovarë, me shpirt të thyer dhe zemër të plagosur janë duke i braktisur vatrat shekullore, madje me lot ndër sy janë duke i lënë edhe varret e dëshmorëve, të bijve dhe bijave të tyre që ranë për lirinë e Kosovës…, duke i mallkuar deri në qiell kusarët e politikës që shkelën mbi gjakun e dëshmorëve dhe vranë ardhmërinë e shumë gjeneratave.
Ndonse Kosova është shtet i pavarur në aspektin juridik, edhe 20 vjet pas bombardimeve të NATO-s, ende nuk e ka përfunduar projektin e sovranitetit të plotë të saj, por per me teper e në menyrë të pashëmbullt pavarësia dhe sovraniteti po kërcënohen nga papërgjegjësia e klasës politike në pushtet, të cilët për interesa personale po luajn bixhoz me fatin e dy milionë kosovarëve si dhe me tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës!
Si pasojë e kësaj situate, Republika e Kosovës, në 20 vjetorin e shënimit të bombardimeve të NATO-s, ndodhet në paralizë të plotë në rrafshin e politikës së jashtme dhe të paralizës juridike në vend, ku nuk ka fare sundim të ligjit, ku nuk funksionon si duhet asnjë hallkë e shtetit, ku pushtetarët prioritet e kanë pazarin me territore për interesa personale dhe zhvatjen e pafund të buxhetit dhe aseteve të shtetit.
Mungesa e sensit të reagimit qytetar
Është e pashëmbullt dhe e dhimbshme humbja e sensit të reagimit qytetar, ku si duket edhe qytetaret janë pajtuar me të keqën e madhe, ngase nuk po e bëjnë përpjekjen më të vogël dhe as një levizje për ndryshim, sepse mendojnë se kjo është e kotë, duke e duruar këtë regjim autokratik dhe anarkik e të pashëmbullt në historinë më të re të Kosovës.
Mbase është momenti i fundit për zgjim të ndërgjegjës qytetare për të hequr qafe kupollen e krimbur të pushtetit, bashk me të edhe klasën e inkrimuar politike, kauzë kjo e pashmangshme për të shpëtuar shtetin nga falimentimi, përkatësisht për të shpëtuar Republikën e Kosovës nga zhbërja e hartës gjeopolitike në Ballkan.
Pra, është momenti i fundit që populli të ngrihet në një revoltë popullore për ndaljen e degradimit të shtetit dhe largimin e kësaj klase politike, ngase shteti çdo ditë e më shumë po shkon drejt shkatërrimit nën udhëheqjen e politikanëve të papërgjegjshëm dhe pandërgjegjshëm kosov(r)arë, këtyre figurave të prishura politike që janë bërë kanceri i shtetit të Kosovës.
Pra, klasa politike kosovare më shumë ngjanë në “kaçikët e pulës” me afat të skaduar nga Brazili sesa drejtuesve në një gjysëm shtet, me gjysëm pavarësi e gjysëm sovranitet.