VOAL

VOAL

Kadri Veseli udhëton sot në Hagë, intervistohet si i dyshimtë

Kryeparlamentari Kadri Veseli pritet sot të udhëtojë në Hagë, ku e presin për intervistim prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gazeta Express mëson nga burime brenda Tribunalit Special se Veseli do të udhëtojë sot për në Hagë.

Atje pritet të intervistohet si i dyshimtë nga prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, John Smith.

Gazeta Express ka kontaktuar kabinetin e z. Veseli, mirëpo nuk ka arritur të marrë një prononcim lidhur me këtë.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit deri tash asnjëherë nuk ka pranuar se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale kur është pyetur, megjithatë ai ka treguar gatishmëri për shkuarje në Hagë, nëse ftohet nga prokuroria.

Express javë më parë ka raportuar nga burimet brenda Zyrës së Prokurorit të Specializuar se po përgatitën aktakuza që prekin seniorët e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, përfshirë edhe Presidentin Hashim Thaci, kryeparlamentarin Kadri Veseli.

E ashtuquajtura Gjykatë Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës  në vitin 2015.

Ndërkaq bazë për krijimin e kësaj gjykatë është një raport i shpalosur në Këshillin e Evropës nga senatori zviceran, Dick Marty, e në të cilët disa prej krerëve të UCK’së, si Hashim Thaçi, Azem Syla, Xhavit Haliti, akuzohen për trafikim të organeve dhe trajtim çnjerëzor.

Veseli: Objektivi kryesor i Kosovës është anëtarësimi në OKB

Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takimin me krerët e vendit dhe anëtarët e ekipit negociator për dialog, e konsideroi “shumë produktiv dhe shumë konstruktiv”, raporton Anadolu Agency (AA).

Veseli priti në takim presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anëtarët e Ekipit Negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti për të diskutuar për dialogun me Serbinë.

Veseli pas takimit, në një konferencë për media tha se objektivi kryesor unanim i Kosovës, siç janë pajtuar në këtë takim, është anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Kryeparlamentari i Kosovës duke folur për taksën të cilën vendi i tij i zbaton produkteve të Serbisë, tha se “kurrë nuk do t’i nënshtrohen Serbisë dhe (presidentit të Serbisë Aleksandar) Vuçiqit”.

Veseli tha se besojnë që në të ardhmen do të ketë involvim edhe më direkt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në procesin e dialogut. Ai tha se Kosova është shtet sovran dhe as që do të diskutohet ndonjëherë për shtetin dhe sovranitetin e saj.

“Ne kemi plotësuar të gjitha kushtet. Na ndihmoni edhe ju (mediat), nuk ka nevojë të na krijoni thyesa tjera të panevojshme. S’ka nevojë të krijoni. Duhet të jepet liberalizimi i vizave për faktin se aspektin e procedurave të cilat kanë qenë teknike, të cilat i ka vënë vetë BE-ja, Kosova i ka respektuar të gjitha dhe ka qenë shumë korrekt. Ndoshta kemi plotësuar më shumë kushte se sa shumica e vendeve”, tha Veseli.

Udhëheqësit e institucioneve të larta kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Ky është takimi i parë zyrtar i krerëve institucional kosovarë pas Samitit të Berlinit që u mbajt më 29 prill.

PRESIDENT THAÇI A FJETE HIÇ…?! (A e pave në andërr Federica Mogherinin) – Nga BINAK MAXHARRAJ

 

Presidenti Thaçi, a muj u çove, a fjete mirë. A e pave në andërr F.Mogherinin, A.Vuçiqin, E.Ramën por edhe Baton Stanishiqin pasi je këthye nga Berlini. Pasi ju deshtoi plani i tradhtisë ndaj Kosovës, deshtet ne errësirë ta plagosni Kosovën. Eh more paqavrat e shqiptarisë të stilit te Esat Pashë Toptanit dhe Ahmet Zogut.

President Thaçi, a po të dhembë hala shuplaka e A.Merkel qe ta futi fytyrës kurse qyrrat nga zori të dolën jashtë, kur ta shuajti ambicjën për ta nda apo korigju Kosovën, e cila edhe te injoroi sa ishe në Berlin.

President Thaçi me vije keq që simpatia e Juaj pro serbe-ruse F.Mogherini nuk ka shansin të diagoloj më më ty, dhe se asaj i shkoj huq se ne biografinë e saj nuk mund ta shkruajë se si u angazhu me mish e shpirtë për ta nda Kosovën.

Ke harruar se për ne Shqiptarët e Kosovës Gjermania është po aq e shenjët sa edhe Amerika. Është mikja dhe e ardhmja e jon e përjeteshme. Gabove ne deklaratat injoruese se bashku me Baton Stanishiqin se Gjermanija nuk ndihmoj Kosovën. Eh more teveqela, eh more mistreca mjerë kombi qe ju ka.

Drama në Berlin, kush çfarë i tha kujt (dhe Baton Haxhiu über alles) – Nga Berat Buzhala

Kosova i ka dy realitete, një në të cilin jetojmë ne, dhe një tjetër ku bën pjesë vetëm Batoni. Këtu nuk bëjnë përjashtim as ngjarjet në Berlin.

Me avionin privat të Lordit te Marecit të gjithë personat e rëndësishëm të politikës shqiptare ishin nisur për në kryeqytetin e Gjermanisë, për të marrë pjesë në një ngjarje të rëndësishme për të gjithë Ballkanin. Pasagjerë ishin Presidenti Thaçi, Kryeministrat Rama dhe Haradinaj, Lordi vetë, si dhe gazetari zyrtar i shtetit të Kosovës, zoti Baton Haxhiu.

Gjatë gjithë udhëtimit, thuhet që, vetëm piloti kishte qëndruar neutral karshi taksës ndaj mallrave serbe, të cilën qeveria e Kosovës e ka vendosur muaj më parë. Të tjerët, secili duke përdorur taktikat më të mira personale për mashtrim, kishin provuar – për të disatën herë – ta bindnin kryeministrin Haradinaj se taksa e kishte dhënë efektin e vet. Refreni që taksa e ka dhënë efektin e vet ka filluar të përsëritet ditën e nesërme të vendosjes së saj. Sot e kësaj dite askush nuk e di se me cka është konstatuar dhënia e efektit të taksës!?

Nuk kishte vazhduar për shumë kohë përpjekja për ta bindur Haradinajn. Diku mbi qiellin e Bosnjës kishin hequr dorë. Në pamundësi për ta thyer Kryeministrin Haradinaj pasagjerët kishin filluar që të flasin, siç do të thoshte Batoni, për “gjëra të bukura”. Se çfarë mendon Haxhiu me “gjërat e bukura” kjo është një enigmë e madhe, por është e rëndësishme që të thuhet se palët kishin zbritur nga avioni i Lordit pa ndonjë marrëveshje se çfarë do të flasin ose çfarë nuk do të flasin në takimin për ku ishin nisur.

Rrugës për në hotel dy delegacionet ishin ndarë, ai i Shqipërisë për në Regent Hotel, këta të Kosovës për në Hilton. Batoni në udhëkryq, për të qëndruar sa më afër të dyja ekipeve. Paradite të Thaçi, pasdite te Rama. Të hidhëruar që nuk e kishin bindur Ramushin që të subordinonte veprimet e tij me ato të Ramës dhe Thaçit, këta të dytë, bashkë me Batonin e kishin marrë për dore edhe të diturin Gent Caka dhe kishin ngrënë drekë së bashku. Se çfarë kanë biseduar gjatë drekës është e vështirë të dihet. Ndoshta edhe aty Batoni ka vazhduar që të flas për gjërat e bukura, si bie fjala pikturë, art, muzikë klasike, kinematografi të viteve të 50’ta dhe 60’ta. Tek e fundit Thaçi shquhet për shije të holla kulturore. Ka mundësi që pjesën më të madhe të kohës së tij në udhëtime ai e kalon nëpër galeri të ndryshme, jashtë syve të opinionit.

Pasi që e kishin ngrënë drekën, delegacioni nga Kosova ishin nisur për ta takuar ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, njëra prej figurave më kontradiktore të administratës së Presidentit Trump. Prej kur ka zbarkuar në Gjermani, ky ambasador ka provuar që ta sabotojë kancelaren Merkel, qoftë përmes intervistave në media të ndryshme, qoftë duke i takuar me një pompozitet liderët e Alternativës Për Gjermaninë, grup i ekstremit të djathtë, të lidhur në një formë me liderin rus Vladimir Putin. Meqë nuk jemi në pozitë për të zgjedhur, e as për t’ia përcaktuar Presidentit Trump ambasadorët, atëherë nuk na mbetet tjetër për të thënë, përveçse shumë mirë që e takuan atë.

Gazetari zyrtar i shtetit, Batoni, nuk ka qenë në këtë takim, anipse ka mundësi që paraprakisht e ka ditur deri në detaje se çfarë do të flitet aty brenda. I ka treguar dikush atij. I ka Batoni disa kontakte misterioze në nivele të larta botërore që e njoftojnë paraprakisht se çfarë do të ndodhë me ne, por edhe me rajonin, në disa dekadat e ardhshme. Se në çfarë gjuhe komunikon ky me ta, kjo është gjithashtu shumë misterioze. Nëse një gjë e tillë bëhet në gjuhën angleze, atëherë frikësohem shumë që mesazhet do të lexohen gabimisht. Bashkë, Thaçi dhe Batoni nuk arrijnë ta flasin dot një anglishte të nevojshme për të mbijetuar për bukë dhe për ujë.

Sido që të jetë, pas takimit me amerikanin, Thaçi, i shoqëruar nga Bekim Collaku, Haradinaj, i shoqëruar nga Lordi, ishin nisur për në zyrat e kancelares Merkel, ku do të vinte Presidenti Makron dhe pjesa tjetër e delegacionit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Gazetari i shtetit, në anën tjetër, ishte nisur për në sheshin afër portës së Brandeburgut, prej ku do të raportonte në kohë reale për në Kosovë, se çfarë po ndodhte atje brenda. Pa filluar mirë takimi, kur palët ende nuk i kishin zënë ulëset, Batoni i armatosur me fuqi paranormale, po tregonte se atje brenda punët ishin llugë. Po, po, llugë. Dukej që nuk po flitej për gjëra të bukura. Gjithsesi nuk dëshironte të lëshohej shumë në detaje, sepse çfarë kuptimi do të kishte pastaj i gjithë takimi, që supozohej të ishte me dyer të mbyllura. Mirëpo për Batonin nuk ka dyer të mbyllura. Fuqia e tij i thyen ligjet e fizikës. Ai ka mundësi që të jetë fizikisht në të njëjtën kohë në, së paku, dy vende. Vuan gjithashtu edhe nga sëmundja e leximit të mendimeve të të tjerëve, në një perimetër prej disa kilometrave.

Në ndërkohë kur gazetari shtetëror po fliste në disa media, në të njëjtën kohë, brenda zyrës së kancelares Merkel po vazhdonte takimi. Thaci të tjera fjalë i kishte folur në ambasadën amerikane në Berlin, e të tjera fjalë po i fliste në këtë takim. Amerikanëve u kishte thënë se pa ju nuk bëhet dot gjë, tash të njëjtën po ua thoshte zonjës Merkel dhe zotit Makron. Ata që kishin qenë pjesëmarrës në takim kanë treguar që pjesa kryesore e tij ishte zhvilluar në një sallë, ku pjesëmarrësit po qëndronin në këmbë dhe në grupe. Vëmendja ishte e përqendruar te kryeministri Haradinaj. Dy udhëheqësit më të fuqishëm të Bashkimit Evropian, Merkel dhe Makron, kishin filluar të ushtronin trysni te Haradinaj për çështjen e taksës. I kishin kërkuar atij që ta suspendonte atë për katër ose gjashtë muaj. Në një moment të caktuar Merkel dhe Makron e kishin nxjerrë Haradinajn në tarracën e ndërtesës ku po zhvillohej e gjithë ngjarja. I mbështetur për muri Haradinaj u kishte thënë atyre “a të kërcej nga ndërtesa?”

Vucic, në anën tjetër, duke e parë këtë situatë, duke e parë që Haradinaj nuk po thyhej i kishte thënë zonjës Merkel, me zë të lartë “kot po flisni me të, sepse atij dikush nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka thënë që të mos e heq taksën”.

Në vend që ta ndihmonte, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kishte vendosur që ta godiste kolegun e tij nga Kosova, edhe në gjuhën angleze që ta kuptonin të gjithë, por edhe në gjuhën shqipe. Rama ishte kujdesur që sa herë i kishte thënë Haradinajt që ta hiqte taksën, atë ta dëgjonin edhe Merkel edhe Makron. Pastaj, në gjithë këtë situatë Haradinaj e kishte humbur paksa toruan. Kur Rama i kishte thënë, tash në gjuhën shqipe, që ta hiqte taksën, Haradinaj i ishte kthyer Ramës sikur vëllai-vëllait, duke ia ofruar për desert një organ trupor. Mirëpo termin që Haradinaj e kishte përdorur për organin nuk ka qenë shumë brutal, më shumë është një trajtë që nënat e përdorin për fëmijët e tyre të vegjël. Duke e parë se sa është sahati, Rama kishte vendosur që të spostohej, bashkë me Thaçin, në një kauq që ndodhej diku në sallon. Kishin mbetur krejtësisht të paangazhuar dhe irrelevant. Në një fotografi që arrita ta shoh, Thaçi dhe Rama të ulur në atë kauq, dukeshin më shumë si dy burra të mërzitur në një pasdite vere, se sa si dy burrështetas që ishin pjesë e një takimi të rëndësishëm rajonal. Ajo çfarë Haradinaj i kishte thënë, Ramës i kishte mbetur pikë në kokë. Diku kah fundi i takimit i kishte thënë kryeministrit të Kosovës “përse me ofendove?” Haradinaj i është ankuar Ramës se po i bën shumë presion.

Thaçi, prej anës së tij, kishte vazhduar që të lobonte që të hiqej taksa e “Hoxhajt dhe Veselit”, por nuk ishte angazhuar që të komunikonte me Haradinajn në biseda private. Presidenti i Kosovës kishte folur për audiencën ndërkombëtare. Mirëpo, secili hallet e veta në këtë këtë takim, edhe Thaci i kishte pasur të tijat. Ai ishte preokupuar tej mase që të mos konsiderohej heretike, dhe e tejkakuar, ideja për korrigjimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të cilën ai dhe Vucic kanë shpenzuar shumë energji, e ndoshta edhe pare. Mirëpo përfaqësuesi mysliman i Bosnjës dhe Hercegovinës ishte kujdesur që kjo temë të hapej, në mënyrën më të keqe për Thaçin. Ai, në një fjalim të gjatë, kishte thënë që nëse prekën kufijtë, kudo në Ballkan, atëherë tragjeditë janë të pashmangshme. Ai kishte thënë që rajoni do të zhytet në luftë dhe masakra, nëse kjo ide gjen zbatim praktikë. Në këtë moment Thaçi ishte shqetësuar, ndoshta jo aq përse po fliste një politikan nga Bosnja, por që këto po i dëgjonte një politikane nga Gjermania. Shumica dërrmuese e të pranishmëve në takim ishin pajtuar me politikanin boshnjak. Fjalimi i tij për rrezikun e prekjes së kufijve konsiderohet që ishte gozhda e fundit në arkivolin e kësaj ideje.

Ka që thonë se takimi në Berlin kishte qenë një dështim. Ka mundësi që ka qenë i tillë, mirëpo vetëm për disa ishte i tillë. Në Berlin thjesht ka dështuar plani për ndarje të Kosovës. Fare në fund të tij të gjithë pjesëmarrësit janë ulur prapë rreth një tryeze të përbashkët. Makron dhe Merkel janë dukur të relaksuar. Ata i kanë ftuar palët që të shkonin në Paris me 1 korrik për të vazhduar përpjekjet për të gjetur një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Deri atëherë ata do të dërgojnë në rajon përfaqësuesit e tyre për të diskutuar për modalitetet.

Kryeministrja e Gjermanisë dhe Presidenti i Francës janë të bindur që Bashkimi Evropian ka kapacitet, por edhe detyrim, për t’i mbyllur zënkat në rajon.

Ka mundësi që personaliteti i vetëm në Ballkan që edhe më tutje nuk është i bindur në fuqinë gjermane është gazetari zyrtar shtetëror, i cili ka disa muaj që në udhëtime zyrtare të Presidentit Thaçi po e shoqëron atë, duke e zëvendësuar kështu Ngadhnjim Kastratin, i sapozgjedhur drejtor i RTK’së.

Me fjalë të tjera kjo ishte historia e takimit në Berlin. Mirëpo kjo është historia sipas meje, që do të thotë është histori relative. Ju të dashur lexues, që erdhët deri në fund të këtij shkrimi, historinë e vërtetë, atë absoluten, atë që e mbanë vulën e Thaçit dhe të Ramës, kërkojeni te Batoni.

Haradinaj flet në T7 nga Berlini – Thaçi e Rama më bënë presion në Samit (video)

Kryeministri Ramush Haradinaj mbrëmë nuk ka folur në Berlin pas përfundimit të Samitit. Por, këtë ai e ka bërë në një intervistë ekskluzive për televizionin T7 të martën ku ka shpalosur detaje të asaj çfarë ka ndodhur brenda dyerve të mbyllura të zyrave të Kancelares Gjermane Angela Merkel kur është folur për Kosovën e Serbinë në prani të liderëve të rajonit.

Në një intervistë me autorin e emisionit Pressing Leonard Kerqukin, Haradinaj është shfaqur i bindur se Samiti e ka ndaluar temën e ndryshimit të kufijve, në të cilën kishin rrëshqitur Thaçi e Vuçiq me izën e Mogherinit. Sipas Haradinajt, takimi në Berlin përfundimisht e ka ndryshuar formatin e bisedimeve të Brukselit duke thënë se tani dy fuqitë europiane Gjermania e Franca e kanë në dorë këtë punë.

Por Haradinaj ka kërkuar edhe involvimin e SHBA’ve të cilën rikujton se ia ka kërkuar edhe Mogherinit gjatë një takimi me tensione muaj më parë në Bruksel.  Por cfarë thotë Haradinaj rreth detajeve tjera të takimit. Cfarë presioni i kishin bërë Thaci e Rama gjatë fjalimeve të tyre? Si u është përgjigjur atyre ? Çfarë i kanë thënë për taksën Merkel e Macron.

Për sa kohë është kërkuar suspendimi i taksës. Si ka kaluar takimi me ambasadorin e Presidentit Trump Berlin? Kush do të shkojë më 1 korrik në Paris? Në çfarë forme do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Çfarë kompromisi duhet të bëjë Kosova nëse ka arritur ta parandalojë çështjen e ndryshimit të kufijve. A është zgjidhje e mundshme sovraniteti i dyfishtë? Çfarë qëndrime kanë vendet e rajonit   Çfarë kanë folur mes vete Haradinaj e Vuçiq?

A i kanë shtrënguar duart ata? A ka kërkuar Thaçi para Merkel e Macron që Presheva t’i bashkohet Kosovës siç ka thënë në media? Çfarë i kanë thënë saktësisht Merkel e Macron për liberalizimin e vizave. Kur duhet pritur përgjigja për këtë çështje?

Më poshtë mund ta ndiqni të plotë intervistën.

Weber: Shpresoj që në Berlin ideja për shkëmbim territoresh ka vdekur

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Institutit Transatlantik të Këshillit për Politikën e Demokratizimit, tha për Zërin e Amerikës se shpreson që takimi i Berlinit i organizuar nga kancelaria Angela Merkel dhe presidenti Emmanuel Macron, shënon përfundimisht “vdekjen e idesë për shkëmbim territoresh”, në mes te Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se takimi dha “rezultatet që ishin realisht të mundshme – fillimin e një nisme të re të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian për të marrë udhëheqjen për t’i dhënë fund një periudhe dyvjeçare të së ashtuquajturës ‘faza përfundimtare’ e bisedimeve, që në sajë të kryenegociatores se BE-së, Frederica Mogherini, shkoi në një drejtim krejtësisht të gabuar dhe përfundimisht u bllokua, dhe për të shkuar drejt një rivendosjeje të plotë të negociatave”.

Zoti Weber tha se “ishte e qartë që rifillimi nuk do të ndodhte në Berlin. Nuk mendoj që do të ndodhë as në Paris në takimin e radhës me 1 korrik. Me gjasë do të ndodhë vetëm pasi që trashëgimtari i zonjës Mogheirni të marrë detyrën në vjeshtë”.

Vëzhguesit dhe analistët e kanë cilësuar takimin e Berlinit edhe si një goditje nga zonjës Mogherini për shkak të qasjes së saj ndaj ideve për korrigjim kufijsh dhe shkëmbim territoresh.

“Përfundimisht ishte një flakaresh. Federica Mogherini përfundoi duke qenë më shumë një spektatore sesa një pjesëmarrëse. Dhe kjo pas dy vjetësh gjatë të cilave ajo ndryshoi rolin e saj si drejtuese e negociatave duke i rrëmbyer ato, duke mbajtur të painformuar kryeqytetet e Bashkimit Evropian dhe në një mënyrë duke e shndërruar veten në një aleate të presidentit (Aleksandër) Vuçiç dhe presidenti (Hashim) Thaçi, në vend që të mbroje interesat e BE-së kundrejt rajonit të Ballkanit”, tha zoti Weber.

Ai shpreson që takimi “shënoi po ashtu vdekjen përfundimtare të idesë për shkëmbim territoresh, ndonëse duket që presidenti Macron ka nevojë edhe për pak kohë për të kuptuar përse kjo ide e rrezikshme duhet dhe duhej të ndalej me çdo çmim”, tha ai.

Roli i Francës dhe Gjermanisë mund t’i sjellë momentum të ri procesit të dialogut

Prishtinë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) ka mbajtur tryezën e Diskutimit me temë “Dialogu Kosovë-Serbi nën dritën e Takimit në Berlin” me shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, një ditë pas këtij takimi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një raport të prezantuar në këtë tryezë, Përparim Kryeziu nga GSJP, tha se me ftesën e Francës dhe Gjermanisë për udhëheqësit institucional të Kosovës dhe Serbisë, duket qartazi se këto dy shtete kanë filluar të zotërojnë procesin e dialogut. Sipas Kryeziut, zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE), nëpërmjet Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë një aspiratë e largët.

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti tha se meqë Kosova është në fazën finale të dialogut duhet të jetë më e përgatitur, ndërsa roli i Gjermanisë dhe Francës në këtë proces është i rëndësishëm.

“Besoj se duhet ta vlerësojmë rolin e Gjermanisë dhe të Francës në këtë proces. Nuk do ta kisha quajtur ashtu siç u dëgjua me fillim: mungesë e besimit të Gjermanisë dhe të Francës karshi Brukselit. Por, ndoshta për t’i dhënë një momentum të ri procesit të dialogut edhe për arsyen që i gjithë BE-ja, tashmë është në proces të zgjedhjeve të brendshme dhe është e kuptueshme që deri në Komisionin e ri Evropian do të jetë vështirë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të fitoj një momentum të ri”, tha Hoti.

Sipas tij, së pari Kosova duhet të sigurohet se arritja e marrëveshjes nuk e cenon integritetin territorial të vendit, por përfaqësimi i Kosovës në këtë samit nuk ishte adekuat.

Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se në Samitin e Berlinit u bë ngritja edhe më e madhe e dilemave dhe se ishte një nga samitet ku të gjithë ishin të pakënaqur.

“M’u duk që kancelarja Merkel ishte e pakënaqur me presidentin tonë, presidenti Macron m’u duk i pakënaqur me kryeministrin tonë. Presidenti Thaçi m’u duk i pakënaqur me të dy këta, kurse Ramush Haradinaj m’u duk se kishte shkuar dje më shumë për viza dhe pakënaqësia e tij buronte prej lajmeve shumë pesimiste edhe sa i përket këtij dimensioni”, tha Konjufca, i cili shtoi se pas mesazheve të Berlinit, nëse nuk do të ketë zgjedhje të reja, nuk di se çfarë plani tjetër do të ketë.

Sipas Shefit të Grupit parlamentar të Nisma-s, Bilall Sherifit, ideja për korrigjim kufijsh nuk kishte ardhur si ide e presidentit Hashim Thaçi. Sherifi shton se kjo është një ide e vjetër e cila ka ardhur nga fronti serb.

“Ajo që të gjithë kishim pritje, që ky Samit i Berlinit, të mbyllë disa çështje të cilat ne nuk i kishim mbyllur ende. Pra, presim nga të tjerët të na mbyllin çështjet që ne duhet t’i mbyllim vetë. Në këtë rast kemi të bëjmë me idenë e Serbisë për ndarjen e Kosovës. Sepse vazhdoj të insistoj, ka 1 vit që kjo nuk është ideja e Hashim Thaçit, jo se dua ta mbrojë por dua ta nxjerrë në sipërfaqe atë që është e vërtetë”, tha Sherifi.

Sherifi tha se problemet e brendshme të Kosovës nuk mund t’i zgjidhë as Berlini dhe as Parisi, ndërsa Platforma e Dialogut ai tha se nuk është Bibël e as Kuran dhe mund të ndryshohet.

Deputeti nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri tha se qëllim i krijimit të delegacionit shtetëror ka qenë t’i mbledhë forcat politike bashkë, por që nuk është arritur ky qëllim. Ai tha se përfshirja e Francës dhe Gjermanisë në procesin e dialogut është një plus i madh dhe po krijohet një momentum i ri i cili mund të jetë një mundësi e mirë për Kosovën.

Presidenti Thaçi mbrëmë pas takimit tha se nuk është se samiti solli ndonjë vendim konkret për Kosovën, megjithëse do të shohin për zgjidhje kreative në vazhdim. Takimi i ardhshëm i liderëve të Ballkanit Perëndimor do të thirret nga presidenti francez Emanuel Macron, i cili do të mbahet më 1 korrik në Paris.

Thaçi pas Samitit të Berlinit: U pajtuam që të mos pajtohemi

Kestrin Kumnova

Është përmbyllur me një darkë joformale samiti i Berlinit u cili u organizua nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në përpjekje për t’i dhënë shtytje proceseve të pajtimit dhe integrimit në Ballkanin Perendimor.

Por Samiti duket se ka pasur pak rezultatet pasi presidenti, Hashim Thaçi, në përfundim të tij tha se emërues i përbashkët i të gjitha diskutimeve ishte fakti se “u pajtuam për të mos u pajtuar”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se takimi nuk ka qenë i lehtë dhe se ka theksuar gjatë bisedimeve se faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi. Po ashtu Thaçi ka thënë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.

“Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tone”, ka thënë Thaçi.

Një Samit i ngjajshëm, sipas presidentit Thaçi pritet të mbahet më 1 korrik në Paris nën organizimin e presidentin të Francës, Emmanuel Macron.

Përderisa Thaçi në samitin e Berlinit ka folur për nevojën e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në kufijtë e saj ekzistues.

“Ky është realiteti që duhet pranuar dhe kështu mund të ecim përpara. Diskutimet për ndarje etnike dhe kufij, hapin rrugë për tragjedi të reja në Ballkan dhe askush më mirë se ne, nuk i kupton përjetimet e para dy dekadave”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Në anën tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha pas bisedimeve disa orëshe në kuadër të Samitit se nuk është i kënaqur me “status quon”.

“Do dëshiroja që të fillonim dialogun sepse ai është garanca e vetme për stabilitet”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se gjatë bisedimeve të gjithë kanë kërkuar nga Kosova të heqë taksën ndaj mallrave serbe e cila e ka bllokuar dialogun Kosovë-Serbi që nga nëntori i vitit të kaluar.

Në hapje të samitit, Kancelarja gjermane Angela Merkel porositi që zgjidhja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk duhet “të bëhet në dëm të vendeve tjera të rajonit”.

Në një konferencë për media se bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si nikoqir të Samitit të Berlinit, Merkel tha se në kuadër të këtij samiti do të diskutohet hapur për të gjitha sfidat.

Nga ana e tij, presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjithashtu porositi që në kuadër të samitit të diskutohet hapur për të gjitha opsionet që janë në tryezë sa i përket Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk e kemi për qëllim të imponojmë zgjidhje për Beogradin dhe Prishtinën. Ne dëshirojmë që të shqyrtojmë gjitha mundësitë, por edhe të shmangim tensionet e mundshme në rajon të cilat mund të ndodhin për shkak të opsioneve që janë në tryezë”, tha Macron.

Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Merkel dhe Macron përmendet Marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si një shembull të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes vendeve të rajonit.

Takimi ndërmjet kancelares Merkel, presidentit Macron me liderët e Ballkanit Perëndirmo.

Takimi ndërmjet kancelares Merkel, presidentit Macron me liderët e Ballkanit Perëndirmo.

Më herët gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi iu tha gazetarëve se“Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkan prandaj duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara”.

Delegacioni i Kosovës ka zhvilluar një takim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell.

Para se të fillojë Samiti i Berlinit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë takuar ndaras Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është jetike që të ecim të gjithë përpara së bashku. E kemi përkrahjen e Bashkimit Evropian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas këtij takimi.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me Mogherinin tha se duhet te ketë një zgjidhje kompromisi.

“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë presion mbi Serbinë atëherë vjen deri të zgjidhja këtu përfundon filmi”, u shpreh Vuçiq.

I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiq tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq.

Vuçiq ka kërkuar sërish heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës si mundësi e vetme për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Samiti joformal i Berlinit shënon takimin e parë të drejtëpëdrejtë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë që nga nëntori i vitit të kaluar kur bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u ndërprenë për shkak të vendosjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Deputeti i VV-së kërkon që Kuvendi ta shkarkojë urgjent Hashim Thaçin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Salih Zyba, nga Lëvizja Vetëvendosje, po kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Hashim Thaçit nga posti i presidentit të vendit.

Pas udhëtimit të Thaçit për në Berlin ku do të diskutohet për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Zyba po e sheh si mundësi për shkarkimin e tij. Ai këtë e lidh me nenin 91, pikin dy të Kushtetutës së Kosovës.

“Duke marrë për bazë shqetësimet dhe dyshimet e qytetarëve që Presidenti nuk po përfaqëson interesat dhe rolin unifikues kushtetues. Në konsultim me mjek të fushës, marrë për bazë edhe paraqitjen publike në komisionin hetimor parlamentar, si deputet, e konsideroj të rëndësishme dhe të ngutshme iniciativën parlamentare për zbatim të nenit 91 pika 2 e Kushtetutës”, ka shkruar Zyba.

Haradinaj ambasadorit amerikan në Gjermani: Qeveria e Kosovës kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Gjermani, Richard Grenell, me ç’rast kanë biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.

Haradinaj ka thënë se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke, transmeton Klan Kosova.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”.

“Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike”.

“Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm”.

Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të Kryeministrit Haradinaj në Facebook:

Në kuadër të vizitës zyrtare në Berlin, sot zhvillova një takim me Ambasadorin e ShBA-ve në Gjermani Richard Grenell, të cilit i shpreha përkushtimin e Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me
njohje reciproke.

Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin.

Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike.

Roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!

RH

Thaçi para fillimit të Samitit: Nuk ka dialog pa praninë e SHBA-së

Zijadin Gashi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se nuk mund të ketë dialog apo negociata pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklarata e presidentit të Kosovës bëhet disa orë para se të fillojë Samiti i Berlinit i thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në një paraqitje para mediave së bashku me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, presidenti Thaçi tha se “Kosova është shtet i pavarur dhe se nuk mund të ketë negociata pa praninë e Shteteve të Bashkuara”.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj mohoi se ekziston një draft i konkluzioneve të Samitit të Berlinit.

“Ajo që është me rëndësi është se Kosova ka qëndrimet e veta pra edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, tha Haradinaj.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron do të jenë sot nikoqirë të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin që do të mbahet në Berlin.

Samiti është joformal dhe ka të bëjë me mbështetjen që Gjermania dhe Bashkimi Evropian u japin gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor [Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjë e Hercegovinës] në zhvillimin e projekteve të përbashkëta në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Në këtë samit, pritet të jetë e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe përfaqësuesi i Sllovenisë.

Bazuar në agjendën e Samitit, Merkel fillimisht pritet të takojë kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, si dhe atë të Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë që edhe ky Samit t’u ndihmojë atyre për ta marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Më pas, Merkel dhe Macron pritet t’u adresohen mediave edhe përmes një konference për gazetarë.

Agjenda vazhdon me mbajtjen e takimit të përbashkët si dhe një darkë pune pas së cilës edhe do të lëshohet një deklaratë me konkluzionet.

Pasi që Procesi i Berlinit paraqet vazhdimësi të takimeve të ngjashme që janë mbajtur që nga vitit 2014, në kuadër të konkluzioneve, Samiti pritet të përshëndetë marrëveshjen e arritur në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut rreth mospajtimit mbi emrin, duke e cilësuar atë si një shembull për zgjidhjen e suksesshme të konflikteve.

Ndërkohë, Merkel dhe Macron pritet që të inkurajojnë edhe Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë dialogun dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

Procesi i Berlinit, mbështetë kryesisht projektet që përfshijnë dy e më shumë vende, andaj në konkluzionet e përbashkëta pritet që të intensifikohen përpjekjet për themelimin e zonës regjionale ekonomike.

Ndërkohë, pritjet në Prishtinë e Beograd janë se në margjinat e Samitit, mund të ketë edhe bisedime rreth mundësive për vazhdimin e dialogut politik në Bruksel për arritjen e një marrëveshjeje historike të normalizimit.

Nga Kosova, në Samit do të jenë presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse nga Serbia, presidenti Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrja Ana Brnabiq.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar para nisjes për në Berlin se “Kosova është e qartë që të vazhdojë dialogun për një marrëveshje që hapë mundësi për dialog, por në asnjë mënyrë kushtëzim”.

“Nuk pres që do të ndodhë dialog apo negociata, por unë vazhdoj të theksoj pozicionin tim se do të ishte mbështetja për bashkëngjitje të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Nuk do të lejojmë asnjë lloj sovranitet të dyfishtë, as ndonjë model gjerman-gjermano apo asnjë lloj asociacioni”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndajnë mendime të ndryshme qoftë për idenë e ndryshimit të kufirit në kuadër të dialogut me Serbinë, apo edhe për pezullimin e taksës doganore. Përderisa presidenti Thaçi është treguar i hapur të diskutojë edhe për kufirin, por edhe për të pezulluar taksën, Haradinaj i ka përjashtuar të dy mundësitë për të cilat është angazhuar Thaçi.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një komunikate ka potencuar se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për dialog, për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, gjithmonë duke respektuar vetveten dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike, duke ruajtur integritetin territorial dhe partneritetin me aleatët e përhershëm të saj.

Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dy janë çështjet kryesore para se të fillojë ky Samit. E para, që Gjermania dhe Franca të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe e dyta, që këto dy vende ta bëjnë të qartë se në dialogun Kosovë – Serbi, tema e ndryshimit të kufijve nuk mund të diskutohet.

Në margjinat e këtij Samiti, nuk është përjashtuar as mundësia që Merkel dhe Macron të diskutojnë më liderët kosovarë për mundësinë e pezullimit të taksës doganore, për t’i dhënë kështu shans vazhdimit të dialogut politik në Bruksel.

Procesi i Berlinit synon zhvillimin dhe bashkëpunimin rajonal për t’i ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimin Evropian. Si proces, është iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel në vitin 2014. Nisur edhe nga parimet e zgjerimit të BE-së, zgjidhja e kontesteve bilaterale paraqet një synim dhe angazhim të madh të këtij procesi, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionit kufitare.

Pavarësisht investimeve të vogla, Kosova vend atraktiv për turistët

Ariana Kasapolli – Selani

Kosova vazhdon të mbetet vend atraktiv për turistët. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Doganës, janë shënuar më shumë se 700 mijë vizita, me 138 nacionalitete të ndryshme që kanë hyrë në Kosovë. Turizmi malor vazhdon të jetë më atraktiv.

Kosova ka një sipërfaqe prej më shumë se 10 mijë kilometrash katrorë, dhe posedon rreth një mijë vende, të cilat konsiderohen atraktive për t’u vizituar dhe zhvilluar turizmin.

Ndonëse janë shënuar rritje vizitash, Kosova mbetet ende vendi i fundit në rajon sa i përket investimeve në sektorin e turizmit, ku sipas profesionistëve të kësaj fushe, thuhet se më pak se 100 mijë euro investohen brenda vitit për këtë sektor, derisa vendet e rajonit, sipas tyre, shpenzojnë miliona euro për turizmin.

Dren Zatriqi, ekspert i turizmit, thotë për Radion Evropa e Lirë se numri më i madh i turistëve që vizitojnë Kosovën janë nga Evropa Qendrore apo gjermano-folësit, si dhe nga grupet e Azisë e që janë pjesë të grupeve Ballkanike, ku edhe Kosova po hyn në këtë grup.

“Edhe këtë vit presim trend të rritjes së turistëve. Kryesisht turistët vijnë nga Evropa Qendrore, Azia, por edhe nga vendet e Ballkanit. Kosova është bërë atraktive, sidomos për këtë grup të turistëve. Për turizëm jemi vend me buxhetin më të ulët në rajon, pra diku rreth 100 mijë euro investohen nga shteti në vit për turizëm, derisa vendet tjera kanë me miliona euro investime. Ne, definitivisht, kemi nevojë për përmirësim të shërbimeve dhe atraksioneve për dallim me shtetet në rajon”, vlerëson Zatriqi.

Turistët në Kosovë i përcjellin ciceronët vendorë. Tashmë çdo qytet i ka të ndarë ata, varësisht nga gjuha që flasin, për t’u përshtatur dhe kuptuar me turistët.

Projekti “Majat e Ballkanit” në përbërjen e saj ka identifikuar dhe zhvilluar shtegun malor prej 192 kilometrash, që lidh fshatrat malore nga të tri shtetet (Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi).

Por ka edhe vizita kulturore, me mysafirë tej oqeanit, si nga Tajvani, Singapori, Japonia, Koreja Jugore, e që këto janë në rritje në krahasim me vitet paraprake. Këta kryesisht vijnë përmes agjencive nga Kroacia, Mali i Zi e Shqipëria. Vizitat në Prizren bëhen kryesisht nga turqit nga Turqia.

Kështu thotë Zekë Çeku, udhëheqës i Shoqatës se Turizmit në Kosovë, sipas të cilit vendet urbane si dhe jeta e natës, vazhdojnë të mbeten atraktive për turistët e huaj që vizitojnë Kosovën.

Por risi këtë vit, sipas Çekut, është se do të ketë mysafirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do ta vizitojnë Kosovën.

“Përndryshe, Kosova, nga aspekti i potencialeve dhe resurseve që ka, ndonëse shumë e vogël, ka kapacitet të jashtëzakonshëm në resurset natyrore, bazuar në trashëgiminë natyrore dhe kulturore dhe këtë e theksojnë të gjithë mysafirët që vijnë”.

“Fatbardhësisht e them që trendi është pozitiv në rritjen e ardhjeve në Kosovë dhe ne në agjencinë tonë sivjet presim sezon mjaft të pasur në krahasim edhe me vitin e kaluar, sidomos te mysafirët që vijnë nga SHBA-ja. Gjithashtu, presim që ne, numrin më të madh të turistëve i kemi diasporën tonë dhe presim që këtë vit të kemi numër më të madh të tyre dhe qëndrim pak më të gjatë në Kosovë, që interesimi i tyre të jetë edhe në investimet në turizëm dhe pritjen hoteliere në Kosovë”, shprehet Çeku.

Pavarësisht resurseve të mjaftueshme turistike, sipas njohësve të fushës së turizmit në Kosovë, ky potencial nuk ka arritur të promovohet për faktin se institucionet e Kosovës nuk janë treguar të organizuara karshi këtij sektori.

Ndërkaq , zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, disa herë janë shprehur se përpjekjet janë të vazhdueshme që sektori i turizmit të jetë edhe më atraktiv për vizitorët. Për këtë janë hartuar edhe disa plane që konsiderohen avancuese për zhvillimin e turizmit në Kosovë.

Thaçi: Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht

Gjakovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje në Ditën e të Pagjeturve që u mbajt në fshatin Mejë të Gjakovës, që të zbardhet urgjentisht fati i të pagjeturve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit, Thaçi ka thënë se kaluan 20 vite dhe ende pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta, për familjet e të pagjeturve dhe gjithë qytetarët e Kosovës dhe ndërgjegjen demokratike të botës.

“Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Vrau 13.500 civilë, gra pleq dhe fëmijë. Kreu mbi 400 masakra anembanë Kosovës, duke përshirë edhe Mejën këtu, ku sot jemi. Vrau 1250 fëmijë. Aparati i shtetit të Serbisë dhunoi 20 mijë gra shqiptare. Dëboi mbi 800 mijë shqiptarë nga shtëpitë dhe pronat e veta”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se për fat të keq, ky gjenocid, as nga drejtësia lokale e as nga ajo ndërkombëtare nuk u ndëshkua.

“Sikur po kalon në heshtje ndërkombëtare, me tendenca të baraspeshës. Pra, ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e Kosovës e duan të vërtetën dhe drejtësinë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, fati i të pagjeturve duhet të zbardhet urgjentisht, i çdo etnie. “Kishim shpresuar se në dialogun e Brukselit kjo do të ishte pika e parë, midis dy shteteve tona. Por, Serbia ka kushtëzuar këtë proces. Kosova nuk do të pranojë proces të kushtëzuar, as në takimin e Berlinit e as gjetiu”, theksoi Thaçi.

Kreu i vendit e ka inkurajuar kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për iniciativën që Parlamenti i Kosovës në një të ardhme të afërt të nxjerrë rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Thaçi: Në Berlin do të diskutohet për mundësinë e vazhdimit të dialogut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se gjatë samitit në Berlin, që pritet të mbahet të hënën, do të bisedohet për mundësinë e vazhdimin e dialogut me Serbinë, që sipas tij, duhet të përmbyllet me një marrëveshje përfundimtare, që do të sjellë stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Thaçi, së bashku me kryeministrin Ramush Haradinaj, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, do të marrin pjesë të hënë në samitin e Berlinit.

Thaçi thotë se në Berlin nuk pritet të nisë ndonjë proces i ri.

“Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë”, shkruan Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

Presidenti Thaçi thotë se në Berlin pret që Franca dhe Gjermania të ofrojnë mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi sipas tij, Prishtina zyrtare ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë proces.

“Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”, thotë Thaçi, duke shtuar se në këtë takim joformal do të kërkojë edhe dënimin e gjenocidit të Serbisë në Kosovë në periudhën 1998-1999.

Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.

Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës prej 100 për qind ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Por autoritetet në Kosovë thonë se taksa e vendosur nëntorin e vitit të kaluar, do të hiqet vetëm kur Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Rikthehen pritjet në Merdarë dhe në Dheun e Bardhë (tabela)

Në pikën kufitare të Kosovës me Serbinë, në Merdarë kanë filluar pritjet e gjata.

Kolona e automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar në Merdarë është deri në 2000 metra e gjatë në dalje.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit qytetarët në këtë pikë kufitare presin deri në 3 orë për të dalë nga territori i Kosovës derisa ata që hynë në territorin tonë nuk presin më shumë se dhjetë minuta.

Ndërkaq, tek pika tjetër kufitare që lidh Kosovën me Serbinë gjegjësisht te Dheu i Bardhë kolona është 600 metërshe, dhe për të dalë nga kjo pikë pritjet janë deri në 120 minuta.

HASHIM THAÇI SHERRI I SHERRAVE.DUHET TË SHKARKOHET APO TË IZOLOHET – Nga BINAK MAXHARRAJ

 

Nuk thonë kotë, ai që e ka mizën mbas veshi frigësohet edhe nga vetëvetja nga hija e vetë. Kjo i ndodhi Presidentit Hashim Thaçi, i cili jo me deshirën e vetë, por me insistimin e ndërkombëtarve u detyru te marrë pjesë në Komisionin hetimor të Parlamentit për skandalin qe e krijoj dhe e zbatoi vetë, për deportimin më dhunë të shtetasve turq.

Ai u paraqitë ne komision i tronditur, i hutuar, me skenar të përkatitur më parë se si të bëjë show mediatik për ti ikë të vertetes.Sjellja e tij ne Komision më tepër i gjasonte një rrugaqi se sa një Presidenti,i cili nuk pranoi tu përgjigjej pyetjeve te komisionit,i ovendonte anëtaret e komisionit duke u kacafyte më çdo njerin për ti ikë të vërtetes se ai dhe vetem ai qendron prapa skenarit për deportimin e qytetarve turq për ne Turqi, i cili ishte skandali i dytë i tij pas tentimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale.

Më këto tentime dhe më këtë pafytyrësi të turpshmë te tij si çdo hërë u trgua si një njeri arrogant,i paedukatë,i pakulturuar dhe më kulturë shumë të ulët.

Ky njeri është shumë i rrezikshëm për sigurin nacionale te vendit,sepse vetem ky i lejoj sigurimcat e Turqisë të vijnë dhe për dritën me diell ti rrembejnë qytetaret e vetë para syve te publikut.Kuptohët se kjo ishte ba nga policia dha AKI e Kosov ës me urdhnin e tij,bile edhe pa dijën e Kryeministrit Hrajdinaj,çfarë e ka rreziku sigurin e vendit.Për këtë akt makabër të tij e falenderoi publikisht edhe Presidenti i Turqia Erdogan,qe do te thotë se ka egzistu një kordinim i mirë midis tij dhe Presidentit të turqisë.

Hashim Thaçi si i pa fytyrë qe është,si nje genjeshtarë,si një ngaterrestar në skenen politike në Kosovë,si një President përqarse,qe askush nuk i shkonë pas,por te gjithë e injorojnë,ka mbetë si një qyqe ne folën e vet,është qartë,por thuhet se ujkut të qartur duhet më ju tutë më se shumti.Së kendejmi duhet të bahet çdo gjë qe është e mujndshme qe ky njeri te largohet nga skena politike,te izolohet sa nuk i ka sjellë edhe ndonjë demë të pariparueshëm vendit.Duhet te niset procedura për shkarkimin e tij sa më parë,sepse ky njeri është sheri i sherrave,është shumë i rrezikshëm për vendin.

Është çështje urgjente qe Ambasadoret e KUIN-tit të mërrën me te tanimë kur e njohin se çfarë njeriu është dhe ta detyrojnë që të përgjigjet para komisionit hetimor.

Thaçi nuk dha dëshmi për dëbimin e shtetasve turq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ia ofroi dëshminë e tij Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, pasi, siç tha, Komisioni ka bërë shkelje të mëdha ligjore në punën e tij.

Thaçi tha se shkeljet më të mëdha janë bërë me angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për përpilimin e një raporti final, në lidhje me këtë rast.

Thaçi tha se vetë Komisioni duhet të hetohet për shkeljen e ligjit.

“Pyetja ime është shumë legjitime për angazhimin e ekspertit. A ka marrë dikush ndonjë vlerësim, ndonjë komision ligjor ose zyrë ligjore për këtë person”, pyeti Thaçi.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Xhelal Sveqla, tha se eksperti është propozuar nga anëtarët e komisionit dhe se të gjithë kanë votuar për angazhimin e tij.

Sveqla po ashtu tha se kontrata e ekspertit ka kaluar nëpër të gjitha organet e Kuvendit.

Ai tha se eksperti ka një shkollim adekuat dhe se ka qenë i angazhuar në institucionin e Avokatit të Popullit dhe se vazhdon të jetë i angazhuar aty.

Nisur nga këto mosmarrëveshje, takimi përfundoi pa dëshminë e presidentit.

Deputetët opozitarë në Komision e akuzuan Thaçin se nuk është i gatshëm të dëshmojë.

Komisioni Hetimor Parlamentar ka identifikuar 31 shkelje ligjore gjatë procesit të arrestimit dhe dëbimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, në mars të vitit 2018.

Dëbimi i tyre është thënë se është bërë përmes një aksioni të koordinuar ndërmjet shërbimeve të inteligjencës nga Turqia dhe Kosova.

Por deputetët, presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës patën thënë se nuk kanë pasur njohuri lidhur me rastin.

Për gjashtë shtetasit turq, Ankaraja dyshon se janë anëtarë të organizatës “Hizmet”, të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen. Këtë të fundit, autoritetet turke e fajësojnë për një përpjekje për grushtshtet në Turqi në vitin 2016.

Çollaku: Kosova nuk shkon për të bërë “spektakël” në Berlin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj (Foto nga arkivi)

Samiti i Berlinit që mbahet më 29 prill, pritet të mbledhë në një takim joformal liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar projektet e përbashkëta zhvillimore të mbështetura nga Gjermania dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ai takim, do t’i bëj bashkë edhe udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës të cilët kanë ndërprerë komunikimin që prej nëntorit të vitit të kaluar. Njëherësh, ky samit shënon edhe prezantimin e parë të përbashkët të Kosovës në një organizim ndërkombëtar, nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Të dy udhëheqësit e institucioneve të larta shtetërore ndajnë qëndrimet të ndryshme për çështjet që lidhen më dialogun me Serbinë, qoftë për idenë për ndryshimin e kufijve, apo edhe në lidhje me pezullimin apo jo të taksës doganore të cilën Qeveria e Koosvës, kryesuar nga Haradinaj e ka vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Kjo taksë, po shihet edhe si pengesë për vazhdimin e dialogut politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Presidenti Thaçi mbështet idenë e ndryshimit të mundshëm të kufijve dhe heqjen e tarifës për mallrat serbe, ndërkaq kryeministri Haradinaj ka qëndrime të kundërta për të dyja këto çështje.

“Kosova atje nuk shkon për të bërë spektakël mirëpo për tu paraqitur si një shtet serioz dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësitë që na takojnë në kuadër të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, një shtet dinjitoz i cili nuk bën kompromis me asgjë kur është në pyetje interesi i vet shtetëror”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Çollaku, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi.

Sipas tij, delegacionin e Kosovës në këtë takim joformal do ta udhëheqë presidenti Thaçi në bazë të kompetencave kushtetuese si kreu i shtetit, ndërsa qëndrimet do të jenë të harmonizuara në emër të gjitha institucioneve të Kosovës. Në pyetjen nëse presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj do të takohen para forumit të Berlinit, Çollaku tha se ka pasur takime ndërmjet tyre por mund të ketë edhe të premten ose në Berlin para se të fillojë samiti.

“Qëndrimet janë të qarta dhe ato janë publike dhe transparente edhe për qytetarët e Kosovës. Kosova shkon në Berlin për t’iu bërë të qartë edhe nikoqirëve dhe shteteve fqinje që marrin pjesë që është shtet i pavarur dhe sovran dhe që perspektiva e jonë euroatlantike nuk ka alternativë si dhe që liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa vonesa të mëtutjeshme”, thotë Çollaku.

I pyetur nëse presidenti Thaçi ende mbështet idenë e korrigjimit të kufijve, Çollaku tha se presidenti “ka qëndrim të qartë se Serbia duhet ta njohë Kosovën pa asnjë kusht dhe kompromis”.

“Natyrisht, ne e kemi për detyrë të bëjmë çmos që aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bëjmë realitet”, tha Çollaku.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë të premten në një konferencë për media se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme. Ai tha se qëndrimet që i ka Qeveria e Kosovës nuk janë qëndrime vetëm të kryeministrit por, siç tha ai janë qëndrime të Kosovës. Ai shprehi bindjen se nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij.

Nikoqirë të takimit joformal në Berlin janë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.

Vetëvendosje protestoi kundër Kryeprokurorit të Shtetit

Lëvizja Vetëvendosje organizoi të premten një protestë në Prishtinë kundër Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe korrupsionit, siç u tha, në rritje në Kosovë.

Protesta nisi simbolikisht 5 minuta para orës 12:00 para ndërtesës ku ndodhet Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë.

Masa e tubuar brohoriti: ‘Me hajna nuk ka shtet’, ‘Lumez ik, duam Republikë’, ndërsa në pankartat që protestuesit mbanin në duar shkruante: ‘Po drejtësisë, jo korrupsionit”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, e cila foli para masës, tha se protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë paqësore.

Ajo kërkoi ndryshime në Prokurori, duke larguar, siç tha, të gjithë prokurorët që janë emëruar politikisht.

“Ne, në javët e muajt në vazhdim, nuk do të ndalemi derisa nuk do ta largojmë ‘PAN-hajninë’ (v.j.me Pan njihet koalicioni qeveritar), këta që i kemi para sysh e që po bëhen kinse nuk po shohin. Nuk ka më kohë për Prokurorinë e pushtetit, nuk ka më kohë as për pushtetin e hajnisë, ka ardhur koha për drejtësi e jo drejtësi për interes. Ka ardhur koha për ndryshim, e ndryshimi jemi ne, jeni ju, janë qytetarët e Kosovës”, tha Haxhiu.

Në protestë u tha se në Kosovë nuk mund të ketë luftim të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të institucionalizuar, derisa nuk ka gjyqësor të drejtë.

Kritikët thonë se Lumezi dyshohet se është i korruptuar dhe i lidhur me pushtetin.

Policia bllokon rrugën “Luan Haradinaj”, pak minuta para protestës

Pak minuta para së të filloi protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër Kryeprokrurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezit, Policia e Kosovës ka bllokuar rrugën ‘Luan Haradinaj”. Përveç kalimtarëve, asnjë veturë nuk po lejohet që të kalojë në këtë rrugë.

Ata nuk po i lejojnë që të kalojnë veturat nga kjo rrugë, meqenëse për pak minuta do të fillojë protesta e Lëvzjes Vetëvendosje kundër Kryeprokurorit Lumezi.

Protesta mbahet para zyrës së Lumezit, duke filluar nga ora 11:55.

Ndryshe, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thirri që të pretmten të protestohet para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi, kundër korrupsionit.

Kurti ftoi të gjithë qytetarët e vendit që t’i bashkohen kësaj proteste./Express

PZAP-ja urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe

Kryetarja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka thënë se Lista Serbe konsiderohet e certifikuar nga ana e KQZ-së, pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

PZAP-ja, përmes një vendimi, të enjten, urdhëroi KQZ-në ta certifikojë këtë subjekt politik për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore që do të mbahen më 19 maj.

“Meqë ky vendim është i obligueshëm, ne nuk kemi nevojë fare të votojmë, por mund të konsiderojmë se Lista Serbe është e certifikuar sipas urdhrit të PZAP-së”, ka thënë Daka në mbledhjen e KQZ-së.

Mirëpo, vendimi i PZAP-së, përveç se urdhëron KQZ-në, i jep asaj afat 24 orë për ankesë në Gjykatën Supreme.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se duhet të pritet afati 24 orësh i përcaktuar nga PZAP-ja dhe më pas KQZ-ja mund ta konsiderojë të certifikuar Listën Serbe.

Mbledhja e KQZ-së u mbajt disa orë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunat veriore më 19 maj.

Por, PZAP-ja hodhi poshtë apelin e partisë Lista Serbe, e cila kërkoi njoftimin e Prokurorisë, pasi pretendonte se moscertifikimi i saj nga anëtarët e KQZ-së përbën vepër penale.

Më 14 prill, katër kandidatët e subjektit politik, Lista Serbe, nuk u certifikuan nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kjo për shkakun se dy anëtarët e këtij trupi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi, abstenuan në votim, duke pamundësuar certifikimin.

Lista Serbe më pas ushtroi të drejtën e ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Shefi i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, duke komentuar moscertifikimin, tha se Lëvizja Vetëvendosje po ushtron segregacion ndaj serbëve.

“Serbët janë formalisht të zhveshur nga statusi i qenieve të lira në Kosovën e vetëshpallur”, ka thënë Gjuriq.

Por, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Në rast se lënda i drejtohet Kushtetueses, efektet besohet se mund të jenë edhe më të mëdha në procesin aktual të zgjedhjeve në katër komunat veriore. Por, sipas kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, punët në komision do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore.

Kryetarët e komunave veriore: Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind nga Qeveria e Kosovës për mallrat nga Serbia.

Më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

Haradinaj nuk pret shpërputhje qëndrimesh me Thaçin në Samitin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë të premten në një konferencë për media se Samiti i Berlinit, që do të mbahet më 29 prill, është një takim multilateral ku do të diskutohen çështje të ndryshme.

Ai tha se qëndrimet që i ka Qeveria e Kosovës nuk janë qëndrime vetëm të kryeministrit por, siç tha ai janë qëndrime të Kosovës.

Ai shprehi bindjen se nuk do të ketë shpërputhje mes qëndrimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tij.

“Do të kemi kohë të flasim me presidentin dhe do të harmonizojmë qëndrimet, nuk besoj se ka ndonjë dallim në çështje të caktuar”, ka thënë Haradinaj.

Ai po ashtu ka thënë se personalisht nuk ka qëndrime tjera pos atyre që dihen deri tani si për dialogun me Serbinë po ashtu për taksën prej 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës.

“Kuptohet, ne do ta kemi kohë që të bisedojmë bashkë me presidentin para ngjarjeve edhe me siguri që do të harmonizohemi po unë nuk kam qëndrime të tjera, ne i kemi ato të vazhdueshme që i kemi paraqitur dhe vlejnë”, ka shtuar ai.

Takimi i radhës i liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, po shihet edhe si një mundësi e mirë që vendet e këtij rajoni të përfitojnë nga projektet e përbashkëta që do të mbështeten nga shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, kryesuar nga Gjermania.

Udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë pritet të marrin pjesë, në një takim joformal në Berlin. Nikoqirë të takimit pritet të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel, si dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Në këtë samit është thënë se mund të diskutohet për taksën e Kosovës ndaj importeve të Serbisë, të cilën autoritetet serbe e kanë përmendur si arsye për mosvazhdim të dialogut me Kosovën.

Autoritetet e Kosovës në anën tjetër kanë thënë se taksa e vendosur në nëntor të vitit të kaluar nuk do të largohet derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.

Kjo masë vazhdon të mbetet në fuqi, pavarësisht kundërshtimeve të shprehura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Thaçi në gjykatë: Albin Kurti dhe Glauk Konjufca se janë themelues të organizatës “Syri i Popullit”

Presidenti Hashim Thaçi gjatë dëshmisë lidhur me rastin e “Syrit të Populli”, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti dhe deputetin Glauk Konjufca se janë themelues të organizatës “Syri i Popullit” bashkë me të akuzuarin në këtë rast Sadri Ramabajën. Ai thoshte se i ka dëgjuar me veshët e tij, Kurtin e Konjufcën duke thënë “se do t`i vrasim këta njerëz sepse e meritojnë me i vra”. Lidhur me këto akuza, sot është dorëzuar padi për shpifje ndaj presidentit Thaçi.

Dëshmia e Hashim Thaçit në gjykatë: “I kam dëgju Albinin e Glaukun ka thonë këta duhet me i vra”

Në dhjetor të vitit të kaluar Presidenti Hashim Thaci kishte dëshmuar, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Thaçi, ishte ftuar si dëshmitarë pasi ishte njëri nga emrat që figuronte në listën e kësaj organizate për likuidim.

Organizata “Syri i Popullit dhe kjo listë u bënë publike pas atentatit që përfundoi me plagosjen e avokatit Azem Vllasi në mars të vitit 2017.

Presidenti dëshminë e nisi me akuzat se themelues të organizatës “Syri i Popullit”, janë kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja, shkruan Insajderi.com.

“Organet shtetërore të sigurisë disa javë para se të ndodhte atentati ndaj Azem Vllasit më kanë informuar se tani me kjo ndërmarrje vrastare kishte filluar veprimtarinë në territorin e Kosovë”.

“Nga organet shtetërore të sigurisë jam informuar se pas kësaj ndërmarrje vrasësë qëndron Sadri Ramabaja, pjesëtari i familjes së tij, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti”, thoshte Thaçi në dëshminë e tij.

Kur Thaçi ishte pyetur nga Prokuori i Shtetit se ku e bazon dëshminë e tij, ai kishte thënë se burim i informacionit, ishin fjalët e vetë organizatorëve.

“Ishim në ndërtesën e kuvendit në pritje të hapjes së një seance ku me veshët e mi i kam dëgjuar fjalët e Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës që kanë thënë “se do t`i vrasim këta njerëz sepse e meritojnë me i vra”, thoshte Thaçi në dëshminë e 28 dhjetorit 2018.

Ndërsa kur ishte pyetur lidhur me shkrimet Murat Jashari i kishte shkruar kundër tij, Thaçi ka deklaruar se nuk e ka parë të udhës t`u përgjigjet asnjëherë pasi që thoshte se “prej miqëve të afërm të vetë Murat Jasharit e kam kuptuar se ai nuk din me shkruar dhe se këto shkrime i ka shkruar në emër të tij, vet Sadri Ramabaja”.

Kurse për librin “Luftë e Pambaruar”në të cilin Murati flet edhe për hakmarrje ndaj Thaçit dhe pjetarëve tjerë të institucioneve, ai ka deklaruar se “Shkrimet e Murat Jasharit kanë qënë të orkestruara nga Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Sadri Ramabaja”.

Lidhur me këto deklarat Albin Kurti e Glauk Konjufca e kanë paditur për shpifje Presidentin Hashim Thaçi.

Kujtojmë se në dosjen e përpiluar nga hetuesit policor dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilën e ka siguruar Insajderi, zbulohen lista për ekzekutimin e njerëzve të përpiluara nga organizata “Syri i Popullit”. Ato përfshijnë njerëz të padëshiruar për këtë organizatë nga të gjitha vendbanimet me shqiptarë.

Përveç presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli, edhe ish-ministra e klerikë fetar shqiptarë ishin pjesë e listave për ekzekutim të organizatës së dyshuar kriminale “Syri i Popullit”.

Në listat e “Syrit të Popullit” për ekzekutim ishin vendosur edhe ish-kryeministri Isa Mustafa në Kosovë, dy liderët e partive shqiptare në Maqedoninë Veriore: Ali Ahmeti e Menduh Thaçi, dhe politikanët shqiptarë në Preshevë: Riza Halimi e Shqiprim Arifi.

Gjykata Speciale po shkon drejt kokës së UÇK-së – fton edhe një ushtar të Azem Sylës

Një nga udhëheqësit e Njësisë Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, Mendim Daka, i njohur me nofkën “Sharri” është ftuar nga Gjykata Speciale. Thotë se atje u ftua si i dyshimtë dhe do të shkojë pa mbrojtje, pasi nuk mund të paguaj avokat.

Albioneta Ademi

Dukej se  Zyra e Prokurorit të Specializuara kishte rënë në qetësi para stuhisë. Derisa në fund të vitit të kaluar temë kryesore ishin ftesat që po niste çdo ditë e ashtuquajtura Gjykata Speciale, tash intervistimet e saj nuk po sjellin ekskluzivitet.

Megjithatë, Gazeta Express ka raportuar nga burimet e saj brenda Gjykatës Speciale se ky institucion është duke përgatitur “bombat” e saj, të cilat do të prekin kokën e UÇK’së, përfshirë edhe tash Presidentin e vendit, Hashim Thaçin dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po vazhdon punën e saj në intervistimin e niveleve të tjerë të UÇK ‘së. Ajo i ka dërguar ftesë Mendim Dakës për intervistim në Hagë më 13 maj.

Në një bisedë për Gazetën Express, Daka tregon se ka marrë ftesë që të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit në Hagë, si i dyshuar.

“Ma kanë pru një ftesë zyrtarisht. Me të 13’in më duhet me qenë në Hagë, deri me 17’in, në cilësi të të dyshimtit”, ka thënë Daka.

Mendim  Daka, fillimisht ka qenë ushtar në Kleçkë, e më vonë ka udhëhequr njësinë speciale në Shtabin e Përgjithshëm nën urdhrat e Azem Sylës

“Në fillim kam qenë ushtar në Kleçkë, në maj të ’98-ës. Më vonë dikur në shtator një ndër udhëheqësit e njësisë speciale në Shtab të Përgjithshëm. Në pjesën ku është Llapshtuniku, Kleçka”, ka treguar Daka.

Ndërkaq ai do të nisët për në Hagë pa mbrojtje. Daka thotë se nuk ka mundësi të paguaj me mijëra euro  një avokat.

“Nuk kam marrë avokat. Askush nuk e merr përgjegjësinë me pagu. Unë nuk kam 8 mijë euro me pagu. Avokatit duhet me ia pagu edhe harxhimet atje”, thotë ish-ushtari i UCK’së.

Gazeta Express ka raportuar se Gjykatës Speciale deri tash ka intervistuar rreth 100 persona, si të dyshuar dhe dëshmitarë, ndërsa aktakuzat nuk do të ngrihen pa u kryer intervistimet e 300 të tjerëve.

Gjatë një bisede të zhvilluar në një nga vendet e BE’së, një burim i Expressit brenda Gjykatës Speciale, që nuk ka dashur të identifikohet, ka thënë se aktakuzat e para ngrihen për vrasjet e pasluftës ndaj shqiptarëve.

“Aktakuzat e para do të jenë për vrasjet e pasluftës, për krime ndaj shqiptareve”.

Ai thotë se krerët shtetërorë do të jenë të akuzuarit e Speciales dhe për këtë, Gjykata ka mbledhur dëshmitarë, videoincizime e prova të tjera.

“Nga ajo çfarë sot posedon prokuroria do te ketë aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, Rexhep Selimit, Daut Haradinajt, Sami Lushtakut, Azem Syles, e shumë figurave të tjera të luftës”, ka thënë tutje burimi.

Deri më tash janë intervistuar disa prej profilëve të larta të UÇK’ së, përfshirë komandantët Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa – Remi, Sylejman Selimi, drejtuesi i Gjykatës së UÇK ‘së, Sokol Dobruna.

Express ka provuar të marrë përgjigje disa herë nga Daut Haradinaj, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, nëse përgjatë kësaj periudhe kanë marrë ftesa nga Gjykata Speciale, megjithatë ata asnjëherë nuk kanë pohuar diçka të tillë. /Express/

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj ndalohet nga policia serbe

Partia Liberale Serbe e Kosovës, njofton se të enjten në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Dheun e Bardhë, është ndaluar nga ana e policisë serbe, Sërgjan Jovanoviq, anëtar i Partisë Liberale Serbe, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Sllobodan Petroviq ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky nuk është rasti i parë që zyrtarët e kësaj partie ndalohen në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jovanoviq është ende në vendkalim. Pjestarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë i kanë thënë atij se kishin një urdhër për ta mbajtur atë deri në ardhjen e anëtarëve të BIA-s (Agjencia për Siguri dhe Informacion të Serbisë) për ta intervistuar”, ka thënë Petroviq duke kërkuar reagimin e menjëhershëm për këtë rast të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.

Autoritetet kosovare kanë reaguar menjëherë përmes rrjeteve sociale. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky rast dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës.

Akti i ndaljes së Sërgjan Jovanoviqit nga ana e autoriteteve serbe, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.

Më herët, në disa raste, në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi, autoritetet serbe i kanë intervistuar për orë të tëra pjesëtarët serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, në Merdare janë ndaluar dhe janë intervistuar Slobodan Petroviq, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe bashkëpunëtorët e tij, Boban Stankoviq, zëvendësministër i Kulturës në Qeverinë e Kosovës dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës. Intervistimet kanë zgjatur për orë të tëra.

Albin Kurti padit Hashim Thaçin e Kadri Veselin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me Glauk Konjufcën kanë ngritur kallëzim penal ndaj presidentit, Hashim Thaçi e kryeparlamentarit, Veseli, sipas Kurtit për shkak të shpifje që janë bërë ndaj tij, Konjufcës e Sadri Ramabajës në rasti e Organizatës “Syri i Popullit”.

Kurti i cili e ka cilësuar si të ashtuquajtur organizatën “Syri i Popullit”, ka thënë se Thaçi e Veseli kanë bërë deklarime të rrejshme kundrejt tyre me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar.

“Me rastin e kallëzimit penal, këtu në prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin për Krime të Rënda kundër Presidnetit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kundër kryeparlamentarit, Kadri Veseli. Ne këtë kallëzim penal po e bëjmë sot duke pasur parasysh deklarimet e rrejshme nën betim që këta dy i kanë bërë me datën 28 dhjetor të vitit të kaluar në procesin gjyqësorë, kundër të ashtuquajturit organizatë Syri i Popullit, me rastin e sublimit që kanë bërë këta dy krerë institucionesh kundër Glaukut, meje dhe Sadri Ramabajës. Ata kanë dhënë deklarata të rrejshme dhe këtë e kanë bërë nën betim prandaj ne po bëjmë sot kallëzim penal”, ka thënë Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka thënë se Hashim Thaçi e Kadri Veseli që ndodhen në postet më të larta institucionale kanë rënë në pozitat më të ulëta njerëzore dhe këta sipas tij, jo që nuk e mbrojnë Republikën, por Repulika është e rrezikuar prej këtyre njerëzve që shpifin nën betim.

Kosnett: Shoqëria civile dhe mediat të jenë më të zëshme përballë padrejtësive

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, u bëri thirrje shoqërisë civile dhe mediave që të jenë më të zëshme në denoncimin e korrupsionit, padrejtësive dhe pabarazisë në shoqëri.

Gjatë një debati të organizuar në Prishtinë nga Lëvizja “Fol”, ambasadori amerikan tha se barazia ligjore dhe llogaridhënia sjellin më shumë shpresa te popullata dhe japin sinjal të mirë para botës për Kosovën.

“Ka shumë mjete në demokraci, të cilat qytetarët i kanë në dispozicion për t’i sfiduar vendimet e qeverisë, të cilat i konsiderojnë të padrejta. Andaj, është me rëndësi që shoqëria civile dhe mediat të luajnë rolin e tyre”, tha Kosnett.

Sipas tij, edhe protestat paqësore janë mjet që sot përdoren në shoqëritë demokratike për t’i sfiduar vendimet e padrejta të qeverive.

“Nëse shoqëria civile dhe mediat janë më të zëshme, edhe ndryshimet mund të ndodhin”, theksoi Kosnett.

Ai foli kryesisht për aspekte nga sundimi i ligjit dhe gjyqësori, përderisa në teori, Kosnett lavdëroi shumë ligje që kanë miratuar institucionet e Kosovës dhe të cilat tha se janë shembull edhe për vende të tjera.

Sfidë, tha Kosnett, mbetet zbatimi i ligjeve në praktikë.

Nga praktikat e këqija, ai mori si shembull rastin e veteranëve të “rrejshëm” të luftës, të cilët tha se janë shndërruar në përfitues të shumë benificioneve.

Një çështje tjetër që Kosnett përmendi ishte edhe punësimi i njerëzve mbi bazën e përkatësisë partiake dhe familjare dhe jo mbi bazën e meritave.

Po ashtu, ai përmendi rastin me tokën e Manastirit të Deçanit, për të cilin tha se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Kisha ka pronësi mbi disa parcela të tokës, por zyrtarët komunalë, me mbështetjen e disa zyrtarëve qeveritarë, e kanë kontestuar vendimin e Kushtetueses.

Vendimet e gjykatave, rikujtoi ai, “nuk u nënshtrohen interpretimeve apo edhe më pak negociatave politike”.

Në kthetrat e Prontomafisë (1) – Nga XHAFER SHATRI

“Së pari erdhën t’i kërkojnë socialistët (opozitën), dhe unë nuk thashë asgjë, sepse nuk isha socialist;

Pastaj erdhën t’i kërkojnë sindikalistët, dhe unë nuk thashë asgjë, sepse nuk isha sindikalist;

Pastaj erdhën t’i kërkojnë Jevrejët, dhe unë nuk bëra zë, sepse nuk isha jevrej;

Dikur  erdhën të më kërkojnë edhe mua, por nuk kishte mbetur më askush për të ngritur zërin.”

Martin Niemöller 1

Procesi gjyqësor i shekullit

Ka dy vjet që nëpër zyra hetuesie, në Prokurori speciale e në gjykatore të posaçme po zvarriten me pranga në duar disa qytetarë të akuzuar për veprat më të rënda penale. Për më keq, ata në një indiferencë të plotë, gati zoologjike, që mund të krijohet vetëm në rrethana të një nënshtrimi e poshtrimi kolektiv, në shkelje të Ligjit e të Kushtetutës, po trajtohen e demonizohen nga kreu i shtetit, nga jeniçerët dhe mediet e tij si terroristë e tipa amoral. Ata dhe familjet e tyre janë krejtësisht të vetmuar dhe të dërrmuar nga pesha e rëndë e një aparati të pistë shtetëror. Atyre ua ka kthyer shpinën edhe Zoti!

Është fjala, në radhë të parë, për Sadri Ramabajën, Behxhet Luzhën por edhe Murat Jasharin.

Pse është fjala për proces politikogjyqësor të shekullit? Sepse ka filluar para një viti dhe sigurisht nuk do të përfundojë edhe disa muaj të tjerë, dhe se në të kanë dëshmuar, gjë që nuk ka ndodhur kurrë në histori, kryetari i shtetit, kryetari i Kuvendit me zëvendësin e tij, zëvendëskryeministri, deputeti shikist e mafiozi Elmi Reçica, shefi i shefave Adem Grabovci e tutti quanti. Thënë më troç krejt udhëheqja e Shikut. Mungonte vetëm Koçi Xoxja i Kishnarekës.

Kosova, me sipërfaqen dhe numrin e banorëve që kishte e që ka, do të qëndrojë përjetësisht në librin e Ginisit, si vendi me më së shumti të burgosur politikë në histori, si vendi me më se shumti procese e gjykime politike të mbajtura kundër banorëve të saj.

Në vitet tetëdhjetë, sipas Rrahman Morinës, atëherë funksionar i lartë i policisë dhe i partisë, dy të tretat e popullsisë së përgjithshme në Kosovës kishin kaluar nëpër duart e policisë dhe gjykatave vetëm për motive politike. Në këto statistika nuk janë përfshirë personat që kanë kaluar nëpër ferrin e KOS-it (shërbimi sekret i ushtrisë) dhe gjykatave ushtarake.

Në përgjithësi, prej pushtimit të Kosovës e deri në vitin 1999, kundër shqiptarëve janë mbajtur dhjetëra mijëra procese politike para gjykatave serbe. Për turpin tonë, nuk ka një statistikë të saktë për numrin e proceseve dhe emrat e viktimave, që dëshmon se askush sa elitat tona nuk është tallur me vuajtjet e popullit shqiptar.

Sidoqoftë janë tri procese politike që dihen botërisht dhe që personifikojnë saktësisht terrorin gjyqësor të Serbisë kundër shqiptarëve: Procesi i Prizrenit, korrik 1956; Procesi kundër Adem Demaçit, shkurt 1976, Procesi i Paraçinit, i mbajtur para Gjykatës Ushtarake, në janar të vitit 1988.

Këto procese janë të njohura në historinë dhe në vetëdijen e Kosovës sepse ishin, fund e krye, procese të kurdisura me synime strategjike e afatgjata kundër shqiptarëve.

I ngjashëm me ta është edhe procesi gjyqësor që, në regjinë e Hashim Thaçit me shokë, e për turpin e krejt Kosovës, po mbahet aktualisht në Prishtinë, kundër Sadri Ramabajes etj.

  1. Procesi i Prizrenit

Ky proces gjyqësor është mbajtur në korrik të vitit 1956 në Prizren dhe kishte për synim shpartallimin e elitës së re politike e intelektuale në Kosovë dhe përgatitjen e terrenit për shpërnguljet e përdhunshme të shqiptarëve në Turqi. Në funksion të kësaj strategjie, në dimrin e egër 1955/1956, në kohën kur arrestoheshin e torturoheshin viktimat e Procesit të Prizrenit, u ndërmor edhe Aksioni Ndëshkimor për gjoja çarmatimin e shqiptarëve, në të cilin kanë pësuar mbi 200 mijë veta.

Për këtë Proces deri vonë nuk ka pasur informata të bazuara. Por nga ajo që dihet del se arrestimet e para kanë filluar më 4 dhjetor 1955, me burgosjen e Njazi Malokut, sekretar i Komitetit të Rrethit dhe drejtor i Shkollës së Partisë… dhe kanë vazhduar deri në fund të prillit të vitit 1956. Hetimet i kanë udhëhequr udbashët serbomalazez; Budo Gajiq, Gojko Medenica, Dushan Krajinoviq, Andrija Vujoviq, Jovo Rosandiq etj.

Të pandehurit akuzoheshin për spiunazh në favor të Shqipërisë (neni 105 i Kodit Penal).

Detajet për hetimet dhe procesin gjyqësor i ka përmbledhur në mënyrë brilante njëri prej viktimave të këtij procesi, intelektuali i spikatur Sedad Dida. Ai, më 12 qërshor 1968, i drejtohet me një Parashtresë Komisionit shtetëror pranë Qeverisë së Kosovës për Hetimin e Deformimeve. Parashtresa e tij është një testament i përjetshëm i demaskimit të veprimtarisë kriminale të pushtuesve serbë:

Sedat Dida për hetimet jep detaje trishtuese:

“Më kanë rrahur shuplaka, grushte, ndukje mizore flokësh, më kanë lënë pa ngrënë dhe një javë rresht në një birucë pa pikë drite, gjatë kohës kur më torturonin përmendin emra funksionarësh shqiptarë duke besuar se në ato çaste dhune, zhgënjimi, mundimi e dëshprimi do t’i përmend emrat e tyre… por nuk kam lejuar të bëhem dëshmitar i rrejshëm…

Pavarësisht se çka krejt përjetoja për asnjë moment nuk më ka braktisur shpresa se gjykata do të mund të konstatojë fare lehtë të vërtetën kur është fjala për një njeri të pafajshëm… Nuk kam besuar se Gjykata në saje të deklaratës së nxjerrë me dhunë dhe të një dëshmitari të vetëm të rrejshëm mund ta çojë njeriun në burg.“

Ndërsa për vetë procesin, Dida jep detaje të një gjykimi tamam mesjetar :

“Në gjykimin e fshehtë, ku në publik kishte vetëm njerëz të UDB-së, derisa unë përpiqesha të mbrohem nga publiku lëshoheshin fjalë: ‘Mos filozofo!’ ndërsa njëri prej gjykatësve më thoshte: “Ti je shizofren dhe idiot !“… Veprime në shpërputhje të plotë me praktikën gjyqësore.

Kur dëshmitari i rrejshëm më akuzonte se kemi biseduar në Prishtinë, unë i thashë gjykatës se në atë kohë kam qenë në Knin, në Kroaci ushtar… ndërsa gjykatësi më tha : “Ulu aty e hesht! Ne e dimë ku ke qenë ti… !“

“Edhe qëndrimi i avokatit tim të emëruar nga gjykata ishte krejtësisht i paligjshëm, i padrejtë e madje edhe qesharak… Në vend që të më mbronte, kur kishte mundësi që vetëm me një pyetje ta zhveshë dëshmitarin e rrejshëm, avokati kërkonte mëshirë për mua…

Në këtë ambient, duke mos pasur asnjë përvojë me gjyqësinë jam hutuar e jam ndier si i kositur dhe të gjitha shpresat e mia për një gjykatë korrekte u varrosën…“

Në një gjykim të tillë policor, ku merreshin për bazë deklaratat vetakuzuese të nxjerra me tortura, Gjykata e përbërë krejtësisht prej serbësh, më 19 korrik 1956 dënoi me burg të rëndë: Njazi Malokun, funksionar i Partisë Komuniste, më 12 vjet, Sedat Didën, redaktor përgjegjës i gazetës “Rilindja“, më 5 vjet, Demush Cahanin, më 5 vjet, Shani Hoxhën, më 4 vjet, ndërkaq Rexhep Muhadrin,  Hasan Bajramin dhe Muhamet Eminin më nga 2 vjet burg dhe Salih Mehmetin më 9 muaj.

Të gjithë u dënuan gjithashtu edhe me heqje disa vjeçare të të drejtave qytetare pas daljes nga burgu.

“Pas dënimit mendova se u krye procedura dhe do të mund ta vuaj dënimin, por u mashtrova, sepse më karakterizuan si kokëfortë dhe i papërmirsueshëm prandaj nga 32 muaj në burg, 27 muaj i kam mbajtur vetëm, në qeli, për çka m’u kanë dëmtuar përgjihmonë sytë…“

“… pas 32 muajsh, më 29 nëntor 1958, më kanë liruar nga burgu. Deri sot askush nuk më ka treguar pse më kanë liruar pas 32 muajsh. Ndoshta shkaktarët e tragjedisë sime kanë menduar se në këtë mënyrë mund ta mbulojnë me hi veprimin e tyre të pistë, ndoshta duke besuar se më në fund unë do t’i harroj të gjitha… Por damka që i është mveshur personalitetit dhe dinjitetit tim është aq e rëndë, është aq e ndyrë sa që as nuk mund të shlyhet e as nuk mund të matet me asgjë…“2

Procesi i Prizrenit do të mbetej në heshtje për një kohë të gjatë, sikur të mos ndodhte rënia në pamëshirë e Aleksandar Rankoviqit, 1 korrik 1966. Ishte fjala për luftën për pushtet në mes klaneve kroate e serbe në udhëheqjen e Jugosllavisë, më ç’rast Tito, që ndihej edhe vetë i rrezikuar, e rrrëxoi serbomadhin Rankoviq dhe filloi një sërë reformash federaliste që shqiptarëve u ndihmuan ta shlirojnë sadopak zgjedhën e robërisë.

Në këto rrethana dolën në pah shumë krime që ishin kryer kundër shqiptarëve si dhe terrori gjyqesor kundër tyre.

“Në fakt Procesit të Prizrenit i parapriu një proces tjetër politik (korrik 1955) i ashtuquajtur “Grupi i shehëlerëve” prej 14 vetësh, të cilët qenë akuzuar për lidhje me Komitetin Shqiptar në Romë dhe për bashkëpunim me Sigurimin shqiptar. Në këtë proces qenë përfshirë: Sheh Myhedini, sheh Rama, sheh Hasani (i cili në rrethana enigmatike vdes), Qazim Gojani, Hysen Prushi, Din Zhubi, Bekë Haxhija, Hajredin Vuçiterna, Muhedin Miftari, Dërgut Ekremi, Sinan Dërguti, Qazim Miftari etj.“3

  1. Procesi i kurdisur kundër Adem Demaçit

Për shkak të veprimtarisë së theksuar ilegale të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, në vitin 1975 autoritetet e Kosovës ndërmorën një aksion të jashtëzakonshëm ndëshkimor kundër “irredentizmit shqiptar“, siç i quanin ato kundërshtarët e tyre politikë.

Arrestimet filluan në muajin mars dhe përfunduan me arrestimin e Adem Demaçit, më 6 tetor 1975. Ky ishte arrestimi i tretë i Adem Demaçit, dhe u krye vetëm 17 muaj pas daljes nga burgimi paraprak 10 vjeçar. Si pretekst ishte marrë një trakt i pjesëtarëve të Grupit Revolucionar, i shpërndarë më 23 dhjetor të vitit 1974. Arrestimet ishin masive. Sypozohet se nëpër duart e eskadroneve të Mehmet Shoshit kishin kaluar mbi 500 shqiptarë, kryesisht studentë dhe punonjës arsimi. Nga të gjithë këta djem nënash, që kaluan nëpër tortura të tmershme, vetëm 4 veta u takonin radhëve të organizuara dhe kishin ndonjë dijeni ose ishin drejtpërdrejtë të implikuar në shpërndarjen e trakteve. Por vendimi ishte politik, dhe udhëheqja e Kosovës e dinte saktësisht se po shkatërronte familje të tëra dhe po çonte në burg, kryesisht, njerëz të pafajshëm. UDB, i  përzgjodhi viktimat për shkak të emrit dhe sidomos bindjeve të tyre atdhetare, sepse, gjatë përgatitjes së proceseve, kishte llogaritur saktësisht përmasat e frikësimit që do të kishte dënimi gjegjësisht ndëshkimi i tyre në popull.

Duhet nënvizuar se gjatë hetimeve shumëmujore ndaj të pandehurve janë ushtruar intensivisht torturat më çnjerëzore, me qëllim që viktimat të pranonin “fajet“ e sajuara paraprakisht nga UDB. Disa persona u thyen keq dhe jo vetëm nënshkruan deklaratat e sajuara nga UDB, por filluan të përdoren për t’i thyer ose fajësuar edhe të pandehurit e tjerë.

Arrestimet dhe gjojahetimet rezultuan me 4 procese të kurdisura politike. Kryefjala e këtyre proceseve ishte ideologu i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Adem Demaçi.

Procesi i parë u mbajt më 29 janar dhe më 1, 2, 5 e 7 shkurt të vitit 1976.

Në këtë proces u dënuan me burg 19 shqiptarë: Adem Demaçi 15 vjet, Skënder Kastrati 12 vjet, Hetem Bajrami 7 vjet, Hasan Dërmaku 10 vjet, Osman Dumoshi 7 vjet, Rexhep Mala 9 vjet, Selatin Novosella 7 vjet, Ilaz Pireva 7 vjet, Fatmir Salihu 7 vjet, Xhavit Dërmaku 9 vjet, Sherif Masurica  7 vjet, Sami Dërmaku 6 vjet, Zijadin Spahiu 5 vjet, Isa Kastrati 6 vjet, Ahmet Hoti 6 vjet, Njazi Korça 6 vjet, Irfan Shaqiri  7 vjet, Hilmi Ramadani 5 vjet dhe Nazim Shurdhani 4 vjet burg.4

Procesi i dytë u mbajt më 18 – 23 shkurt 1976, në Prishinë, dhe  u dënuan 12 shqiptarë: Adem Rukiqi, më 9 vjetë burg, Bektesh Rrudhani, më 6 vjet, Tafë Rukiqi, më 6 vjet, Ymer Rukiqi më 2.5 vjet, Arif Rukiqi, më 1.5 vjet, Zyhdi Bilalli me 3 vjet, Bislim Bajraktari më 4 vjet, Xhevdet Nasufi më 2.5 vjet, Idriz Mehmeti më 1.5 vjet, Sadullah Zeqiri me 2.5 vjet, Ajet Rukiqi, më 4 vjet dhe Adem Pavataj më 2.5 vjet.5

Në këtë vazhdë, një muaj më vonë, u mbajtën edhe në Vranjë dy procese politike kundër katër shqiptarëve:

Më 17 mars 1976:

Jetullah Arifi, më 12 vjet dhe Fazli Avdullahu më 6 vjet burg; dhe

Më 19 mars 1976 :

Qamil Nuhiu me 4 vjet dhe Selajdin Nuhiu me 1.5 me vjet burg;6

Këto procese politike u mbajtën në një kohë kur nuk kishte përplasje të mëdha politike. Ato u organizuan nga elita politike e Kosovës për të bindur Titon se ajo kishte nën kontroll gjendjen politike në ‘Krahinë’ siç i thoshin asokohe. Prandaj edhe përgjegjësia historike e saj është tepër e madhe. Eskponentët politik nuk u mjaftuan as me torturimin dhe gjymtimin e viktimave, por në mediet e kontrolluara shpërfaqen një propagandë të shëmtuar fashiste:

Fadil HOXHA : ”…Sa pretendentë e të pafytyrë! Hiç më pak se mbrojtës të interesave të popullit shqiptar, e këndej as katundi i vet, as lagjja e vet nuk i njeh, veç për të keq e hajni”.7

Mahmut BAKALLI: ”…Irredentizmi shqiptar në versionin e tij të ri përpiqet të paraqitet në petkun e ideologjisë dogmatike staliniste, por karakteri reaksionar dhe qëllimet e tij mbeten të njëjta. Sikurse nuk ka mundur të depërtojë në masat shqiptare atëherë kur u paraqit në formë balliste – fashiste shqiptaromadhe, irredentizmit shqiptar nuk do t´i shkojë për dore të depërtojë as tash kur përpiqet të mbështillet në petkun dogmatiko-stalinist. (…) Në këtë bazë irredentistët shqiptarë do të paraqiten para gjyqeve dhe do të marrin denime shëmbullore”.8

Fahredin Gunga në komentin televiziv me titull “Dënime të merituara”:

”Siç u pa nga aktgjykimi i Gjyqit të Qarkut të Prishinës, grupit irredentist, i vërtetuar si armik i popullit dhe i rendit tonë kushtetutar, iu shqiptuan denime të merituara. Opinioni ynë, klasa punëtore dhe të gjitha kombet dhe kombësitë e Kosovës, e posaçërisht kombësia shqiptare, i dha këtij aktgjykimi përkrahje të plotë, i dënoi dhe do t´i dënojë vazhdimisht, duke shprehur indinjatën dhe urrejtjen, ashtu siç i ka gjykuar, denuar dhe mposhtur të gjitha llojet e tjera të veprimtarisë armiqësore dhe bartësit e tyre… Ai duke e shpërdoruar pikërisht lirinë e plotë dhe barazinë në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse, u përpoq t´i paraqitet popullit shqiptar gjoja dishepull shpirtëror kombëtar.

Esenca, pretendimi dhe qëllimi i parë i irredentizmit tek ne është shkatërrimi i Jugosllavisë si shtet, si sistem marrëdhëniesh socialiste vetëqeverisëse, si bashkësi e kombeve dhe kombësive… “9

Gjatë hetimeve po edhe në gjykatore, ashtu si edhe shumë vjet më vonë, Adem Demaçi këmbënguli:

“… për dënimin e tretë kam qenë krejtësisht i pafajshëm. Këtë dënim UDB ma përgatiti derisa isha në vuajtje të dënimit paraprak, në Pozharevc. Më akuzuan se, derisa isha në burg, kam bërë plane për formimin e një organizate të re. Para gjyqit më kanë sjellur njerëz që nuk i kam parë dhe nuk i kam njohur kurrë …“

“Nuk ka mbrojtje që mund t’i ndihmojë të akuzuarit për delikte politike. Gjykimi ishte i turpshëm. Komedi e vërtetë.“10

Këto procese dhe mijëra të tjerë, përpara dhe sidomos më vonë, janë orkestruar kryesisht nga udbashë shqiptarë, shumë prej të cilëve, duke shkelur me të dy këmbët edhe ligjet, janë treguar shumë më të egër, shumë më të paskrupull se edhe vetë udbashët serbë… Dhe pikërisht këta tipa Kadri Veseli, njëri prej kryesundimtarëve të Kosovës, kishte paturpësinë t’i quante publikisht me zërin e tij as burrë as grua: PASURI E JONA KOMBETARE.

  1. Masakra në kazermën e Paraqinit

Më 3 shtator 1987, të gjitha mediet në Jugosllavi shpërndanë gjithandej lajmin bombastik se,  në kazermën e Paraçinit, ushtari Aziz Kelmendi kishte vrarë, derisa po flinin, 4 ushtarë: Goran Begiq nga Zagrebi, Safet Dudakoviq e Hazim Xhananoviq të dy boshnjakë nga Bosnje e Hercegovina dhe Goran Simiq nga Beogradi…, me atë rast kishte plagosur edhe 6 ushtarë të tjerë: dy kroatë, dy boshnjakë, një slloven dhe një shqiptar nga Tuzi.

Sipas medieve, ‘vrasësi’, Aziz Kelmendi, pas “krimit“ kishte dalur nga oborri i kazermës kishte bërë vetëvrasje buzë rrugës.

Ky lajm ishte dominues në medie për disa muaj rresht dhe shërbeu për mobilizimin absolut të turmave serbe të udhëhequra nga Millosheviqi. Titujt i medieve ishin zjarrvënës dhe përmbajtjet plot helm antishqiptar:

“Aziz Kelmendi ka shtënë mbi Jugosllavinë!“

“Opinioni jugosllav është tmerruar. Vrasësi Kelmendi, sipas të gjitha gjasave, nuk ishte i vetëm kur tërhoqi këmbëzën. Ai ka shtënë në shtyllën më të rëndësishme të unitetit dhe stabilitetit të Jugosllavisë, në APJ.“11

 “Vrasësi Azis Kelmendi nuk e donte ekëtë vend… ishte edukuar, ashtu si edhe më të afërmit e tij, që mesazhet armiqësore kundër këtij vendi dhe kundër këtij populli t’i shënojë nëpër mure… Nuk ka dashur ta mësojë gjuhën e fqinjve të vet. Nuk i ka dashur as ata e as vendin ku ka lindur.“12

Varrimi i ushtarëve të vrarë, sidomos ai i Goran Simiq, në Beograd, u kthye në një manifestim të rrezikshëm antishqiptar. Aty mbi 10 mijë veta bërtisnin, “Jashtë shqiptarët!“,Nuk duam shqiptarë në Jugosllavi!“, “Kosova është Serbi!“13

Ishte kohë e përthyemjeve të mëdha dhe ky krim i rëndë u shfrytëzua maksimalisht për fuqizimin e Lëvizjes serbomadhe dhe intensifikimin e përpjekjeve të saj për suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Fushata ishte e pamëshirshme dhe ajo e futi Familjen e Aziz Kelmendit në një furrë të tmershme prushi. U arrestuan prindërit dhe vëllezërit e Azizit. Shpirti i tyre e di se çka kanë hequr të braktisur e në ferrin që ua kishte përgatitur shteti i serbëve.

Të gjithë ata që ishin me këmbë në tokë dhe që kishin sadopak aftësi deduktive, kishin dyshime të themelshme se fjala është për një inskenim shumë të rrezikshëm me pasoja tektonike. Në këtë vijë, pas disa muajsh, krimi mori kahjen e pritur me epilog gjyqësor, duke i dhënë masakrës dimensionin e një akti të organizuar politiko-terrorist.

Viktima ishin ushtarët shqiptarë në kazermën e Paraçinit dhe një boshnjak e një rom: Riza Xhakli, Abdylxhemil Alimani, Afrim Mehmeti, Pajazit Aliu, Shefqet Paçarrizi, Enver Behluli, Riza Alibashiq dhe Islam Mahmuti. Ata u arrestuan pas disa ditësh dhe ndaj tyre filluan hetimet. Nëpër çka kanë kaluar këta djem nënash më së miri e përshkruan Riza Xhakli, 4 vjet pas ngjarjes së tmershme:

“Rrahje deri në alivanosje…, elektroshok…, na torturonin nga 2 veta, pas torturave të tyre, vazhdimisht na torturonin edhe ushtarët që ishin roje të burgut. Na merrnin në pyetje dhe na torturonin gjithë natën. Një ekip shkonte dhe vinte ekipi tjetër për t’i vazhduar torturat…, nuk na linin të flinim…, Ata kërkonin me çdo kusht t’i pranonim akuzat që na i bënin… Na merrnin në pyetje prej orës 8 të mengjësit deri në mëngjesin tjetër…“

“…Me një rast, gjykatësi hetues ma lëshoi një video ku ishin xhiruar kufomat e ushtarëve të vrarë. Më thoshte si s’po të vjen mëkat prej këtyre kufomave…, për hir të tyre duhet ta thuash të vërtetën. Kur i thoja se nuk kam të bëjë fare me këtë vrasje, ai më thoshte: Ti nuk je njeri, ti je bishë, je idiot…“

Me një rast më tha : “Do ti sjell këtu nënat e ushtarëve të vrarë që të shohin se sa i vrazhdë e sa i pafytyrë je…, do të nxjerri me pranga në duar para tyre…, ma lëshonte kasetën nga disa herë në dite kur ulja kokën më bërtiste: shiko çka ke bërë!“

“Atë natë nuk kam mundur të fle fare…, nuk mund ta merrja me mend që ata të më paraqitnin para atyre nënave si vrasës të bijve të tyre…, i thashë vetes do ti pranoj të gjitha që kishte nevojë vetëm të mos më ballafaqonin me nënat e ushtarëve të vrarë… Ky është shkaku kryesor që unë kam pranuar, prapë po them kam pranuar, edhe pse s’kam bërë asgjë për të pranuar…“14

Shefqet Paçarrizi : “Unë e kam parë njeriun e maskuar, i cili me automatik shtinte me armë. Njerëzit e sigurimit e dijnë se çka ka ndodhur, kush e ka bërë, si dhe pse. Vetë e kanë bërë vrasjen dhe na e lënë neve, vetëm pse jemi shqiptarë…“15

Të arrestuarit, gati të gjithë, ishin 20 vjeçarë, pa kurrëfarë përvoje jetësore, ndërsa përballë kishin shtetin dhe oficerët serbë me përvojë njëshekullore në shtypjen dhe asgjësimin e shqiptarëve. Si rezultat, në gjykim gjysma i mohonin akuzat monstruoze, ndersa gjysma tjetër i ‘pranonte’… Gjykimi u mbajt në janar të vitit 1988 dhe zgjati 11 ditë. Kjo ishte një mise en scène e shtetit e orkestruar deri në detajet më të imëta për të argumentuar me çdo gjë se këtu nuk gjykoheshin disa ushtarë të pafajshëm shqiptarë, por populli i tyre.

Dënimet e plotfuqishme i shqiptoi Gjykata Supreme Ushtarake:

Riza Xhakli u dënua më 20 vjet,

Abdylxhemil Alimani, 20 vjet,

Riza Alibashiq, 14 vjet,

Afrim Mehmeti, 13 vjet,

Pajazit Aliu, 13 vjet,

Shefqet Paçarrizi, 7 vjet,

Enver Behluli, 5 vjet.

Në gjykim mori pjesë edhe avokati i njohur, Bajram Kelmendi, të cilin shteti serb e vrau me të dy djemtë, 11 vjet më vonë. Bajram Kelmendi, në cilësin e mbrojtësit të Afrim Mehmetit në atë proces të kurdisur ligjëroi një pledoari par excellence, e cila do të duhej të ishte literaturë e domosdoshme për çdo student që mëson të drejtën penale. Ai i rrëxoi një për një akuzat e rrejshme të oficerëve të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak). Të njëjtat argumente ai i kishte shtruar edhe gjatë gjykimit:

“… Unë pata thënë në seancë se nëse Aziz Kelmendi është kryes i veprës, atëherë kjo duhet të jetë e vërtetë edhe për ndihmësit e tij. Pasi gjatë procesit del se të gjitha janë të konstruktuara, pra të pavërteta, atëherë del se është e konstruktuar edhe vepra e Aziz Kelmendit. Kjo del nga të gjitha ato që janë thënë në aktakuzë.“16

Dhjetë vjet më vonë këtë e konfirmon edhe gjykatësi i Gjykatës Supreme Ushtarake, Dr. Jovan Buturoviq, i cili ishte pjesë e Trupit gjykues, kur ushtarëve të lartpërmendur shqiptarë iu shqiptua dënimi i plotfuqishëm. Ai citon prokurorin ushtarak, kolonelin Budimir Gjorgjiq që i ka thënë se : “Procesi ‘Dosja e Paraqinit‘ ka qenë i kurdisur. Organet e sigurimit ushtarak në Nish, duke përdorur dhunën, kanë marrë deklarata të rrejshme nga të akuzuarit. Dëshmi të rrejshme për fajësinë e të akuzuarve janë marrë edhe nga dëshmitarët.“

Buturoviq, shton se më 6 janar 1997 iu kishte drejtuar me një letër Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe kishte kërkuar prej tij që kjo dosje të kthehet në rigjykim.17

(Kjo analizë e gjatë do të publikohet në disa vazhdime)

  1. Martin Niemöller (1892 – 1984), klerik protestan, për shkak se ishte antifashist i thekur, më 1937, fashistët e arrestuan dhe e dërguan në kampin e Sachsenhausenit, ndërsa në vitin 1945 në ferrin e Dachaut
  2. Dosja origjinale e Procesit
  3. Sheradin Berisha, “Golgota shqiptare në kohën e Tito-Rankoviqit!“, 2 maj 2008, www.pashtriku.org
  4. Xhafer Shatri “Pse dergjet ne burg Adem Demaçi?“, Bernë, 1990 Aktgjykimi: P.nr.239/75
  5. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, P – nr.183/75, datë 23.II.1976
  6. Sheradin Berisha, Rexhep Mala – Truri i Lëvizjes Kombëtare, www.pashtriku.org
  7. “Rilindja“, 23.12.1975
  8. “Rilindja“, 14 janar 1976
  9. Sheradin Berisha, Rexhep Mala – Truri i Lëvizjes Kombëtare, www.pashtriku.org
  10. “Mlladina“, nr. 19, datë 26 maj 19890
  11. Politika, 4 shtator 1987
  12. Tanjug, 4 shtator 1987
  13. Metë e Xhafer Shatri “Një gurë për varrin e ushtarit që e vranë“, faqe 247
  14. Riza Xhakli, Deklaratë e shkruar në burg, më 24 qershor 1991, “Zëri“, 21 shtator 1991
  15. Dosja e “Zërit“, Procesi i Paraqinit, Zëri, 19. 10. 1991
  16. Dosja e “Zërit“, Procesi i Paraqinit, Zëri, 5. 10. 1991
  17. “Nasa borba“, 17 maj 1997

Në kthetrat e Prontomafisë (1)

Kosovë: KQZ nuk certifikoi kandidatët e Listës serbe për zgjedhjet në komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i certifikoi katër kandidatët e subjektit Lista serbe, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, që do të mbahen më 19 maj.

Komisioni nuk siguroi dy të tretat e votave për certifikim meqë anëtarët e tij nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, abstenuan në votim.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton rikandidimin e kryetarëve të dorëhequr të komunave veriore meqë, në dorëheqjet e tyre kishin përdorur emrin jo kushtetues të Kosovës.

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se Lista serbe duhet të zëvendësojë kandidatët e paraqitur për zgjedhjet e 19 majit.

“Unë kam pritur që për këto 24 orë, Lista serbe do të zëvendësojë tre nga katër kandidatët të cilët kishin dhënë dorëheqje para pesë muajsh, e që deklaratat e tyre të dorëheqjes, aktet e dorëheqjes në përmbajtje e konsideronin Kosovën pjesë të Serbisë dhe i referoheshin Kosovës si “Kosovë dhe Metohi”. Unë po ashtu kam pritur nga Lista serbe që të distancohet publikisht nga përmbajtja e këtyre deklaratave. Nëse e ka të pamundur që t’i zëvendësojë, të paktën le të jap dëshmi që distancohet nga përmbajtja e dorëheqjeve”, tha zoti Rrustemi.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe se subjekti Lista serbe mund të shtrojë ankesë për mos certifikim.

Tri subjekte politike janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin komunal të katër komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, që do të mbahen më 19 maj.

Mos certifikimi i kandidatëve të Listës serbe nxiti reagimin e autoriteteve në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u tha gazetarëve se refuzimi i kandidatëve të Listës serbe përbën shkelje brutale të demokracisë. Ai tha se një vendim Ii tillë është shqetësues ndërsa paralajmëroi se për këtë çështje do të pres edhe mendimin e zyrtarëve evropianë gjatë takimit në Berlin të Gjermanisë.

Të katër komunat janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Tarifat qenë vënë më 21 nëntor nga qeveria e Kosovës, si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe kundër shtetësisë së Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit dhe serbëve të Kosovës.

Vendosja e tarifave bllokoi edhe procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa qeveria e Kosovës refuzoi të heqë dorë prej tyre me gjithë trysninë nga Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara.

Ja sa para ka sjellë diaspora e Kosovës vetëm më 2018

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka zbuluar se vetëm gjatë vitit 2018 diaspora e Kosovës ka kontribuar me 1 miliardë e 800 milionë euro.

Këto shifra Mehmeti i zbuloi në një intervistë për emisionin ‘’Ekonomi’’ në Telegrafi.com.

Ai ka thënë se në vitin 2018, 800 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që kanë hyrë në Kosovë, kjo ka qenë një rritje vjetore prej 5.5%. Një ndër faktorët kryesorë për rritjen ekonomike janë remitencat.

“Përveç linjës zyrtare që kanë ardhur, ne e kemi edhe një zë që quhet shpenzimet e udhëtimit që kryesisht realizohen prej jorezidentëve, që në këtë rast janë bashkatdhetarët tonë që është rreth 1 miliardë euro, që do të thotë janë 1 miliardë e 800 milionë euro për vitin 2018”, shtoi Mehmeti.

Tutje ai tregoi që për rëndësinë që kanë remitencat në rritjen ekonomike.

“Është fakt që pjesa dërmuese e këtyre remitencave që shkojnë për konsum, që në një mënyrë indirekte ndikojnë në rritjen ekonomike, mirëpo është mirë që të adresohet kjo çështje prej konsumit tek investimet”, ka thënë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. /Express/

VELLOJA E DIZAJNERI SERB PËR NUSEN SHQIPTARE (Kjo ndodh në familjen e Presidentit Thaçi) – Nga BINAK MAXHARRAJ

Këto ditët e fundit lexuam për një skandal të familjes Thaçi e cila e ka angazhuar një dizajner serb për dasmën në familje. Shumë individë, media, portale reaguan për këtë skandal të radhës së kësaj familjeje. Si ndodhi, pse ndodhi, pse nuk u zgjodh një dizajner shqiptar, të cilët janë edhe më shumë të njohur se sa dizajnerët serb, pse kjo u bë në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me Serbinë për shumë çështje të pa zgjidhura për shkak të taksës dhe për shumë çështja tjera që Serbia po ia futë thikë pas shpine Kosovës?!.
Për mua kjo nuk është çudi dhe as befasi, sepse kjo krejtë është bërë më dijen dhe dëshirën e Hashim Thaçit, i cili edhe në këtë mënyrë ia merrë fytyrën familjes. Nuk është çudi se pse kjo ka ndodhë, kur dihet se Hashim Thaçi ka lidhje të forta, si gjatë luftës, por edhe pas luftës, me serbët, u ba gati si krejt njeri i Serbisë sidomos gjatë këtyre viteve që zhvilloi dialogun me Serbinë. Ky njeri është i kapur përmes dosjeve të tyre, është i zanun rob nga Serbia,dhe se gjatë gjithë dialogut qëndroj në krah të Serbisë, duke mos e kundërshtuar me asgjë, duke i sjellë marrëveshje të këqija në dëm të Kosovës.,
Zgjedhja e dizejnatorit serb nuk mund të jetë befasi
Zgjedhja e dizajnërit serb që te matë trupin e nuses shqiptare për ta punuar vellon e nuserisë nuk është befasi kur dihet së Presidenti Thaçi nuk i ka kërkuar Serbisë kërkim faljen për gjenocidin që ka bërë në Kosovë, madje sipas tij, Thaçi ka hyrë në biseda më sërbët duke marrë guximin të prek edhe kufijtë e Kosovës.
Po a ka gjë më të tmerrshme se sa të fillohet dialogu, bile pa e kushtëzuar me asgjë Serbinë thua se Serbia nuk ka ba krime dhe gjenocid në Kosovë. Ky ka shkuar aq larg se nuk i ka kërku Serbisë kërkim falje për gjenocidin e saj në Kosovë, për masakrimin e popullatës, për dhunimin e motrave, nënave dhe vajzave tona, nuk ka kërkuar falje as për atë që Serbia e bëri tokë të djegurë tërë Kosovën. Të mos e bësh këtë të mos e detyrosh Serbinë për kërkim falje do të thotë se me vetëdije po e falë Serbinë për krejt atë katrahurë luftë që ajo e ka bërë në Kosovë. Bile ky njeri ka hyrë aq thellë në këto biseda sa që e merr edhe guximin t’i prekë edhe kufijtë e Kosovës, ta ndanë, copëton apo edhe ti korrigjojë kufijtë e Kosovës për këtë fletë hapatas kudo qe mbrrinë, çka banë shkeljen e Kushtetutës ku territori i Kosovës është i pacenueshëm dhe i patjetërsueshëm. Por, ai është në gjendje t’i bëjë këtë, është në gjendje të veproj në krye vete dhe mu për këtë arsye Hashim Thaçi sot është një i humbur, i izoluar i urryer nga populli i vetë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare i izoluar . Të gjithë në botë çuditën po çfarë njeriu na qenka ky njeri, kur me vetëdëshirë donë ta ndajë shtetin e vetë, gjejeni një kryetar në botë, bile qoftë edhe i marrë që dëshiron ta copëtojë shtetin e vet, jo nuk mund ta gjeni.
Prandaj duke u nisur nga të gjitha këto fakte që i përmenda më lartë, nuk është e habitshme, nuk është e çuditshme që ky njeri donë t’i përziejë edhe familjen me serbë duke bashkëpunuar në këtë sferë të dizajnimit. Më këtë rast Hashim Thaçi i qetë hije të zezë familjes, ta njollosë para qytetarëve të ia qetë faqen e zezë, ashtu siç po mundohet me ia qitë faqen e zezë edhe krejt Kosovës për hesap të veta.

Dhuna seksuale si mjet lufte është gjenocid

Në Nju Jork po mbahet një seancë për dhunën seksuale bazuar në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së. Kosova është lënë jashtë këtij raporti, por një delegacion në krye më Atifete Jahjagën po merr pjesë atje me ftesë të Gjermanisë e cila aktualisht kryeson me Këshillin e Sigurimit, shkruan Gazeta Express.

Njëri nga folësit Denis Mukwege i cili është specialist në trajtimin e grave që janë dhunuar seksualisht në luftë ka thënë se dhuna seksuale si mjet lufte përbën gjenocid.

Konsullja e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, në rrjetin social ka thënë se Amal Clooney, e cila është avokate për të drejtat e njeriut dhe shpesh zëri i saj dëgjohet në KS të OKB’së ka thënë se ajo ka kërkuar Tribunal në Hagë për dhunuesit e luftës.

Haradinaj: Mirë që u tejkalua tema e kufijve, nuk guxon të mbahet gjallë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në Berlin, më 29 prill, do të udhëtojë me qëndrime të palëkundura sa i përket dialogut me Serbinë dhe korrigjimit të kufijve.

Ai thotë se është e rëndësishme që Kosova është pjesë e procesit të Berlinit, bashkë me pesë vendet tjera të Ballkanit.

“Me rëndësi që Kosova është pjesë e pakos së gjashtë vendeve të Ballkanit në procesin e Berlinit. Pasi që kjo nuk lejon që njëra nga ne të ngecë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në Berlin do të udhëtojë me qëndrimet e njëjta që i ka potencuar vazhdimisht.

“Takimi është thirrë nga Merkel e Makron. Aty janë delegacionet dhe institucionet e BE-së. Ne nuk e caktojmë se kush merr pjesë. Qëndrime të mia dhe të Kosovës, janë ato, nuk kanë ndryshuar”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media, shkruan Gazeta Express.

Kreu i Qeverisë ka potencuar se diskutimet për kufij kanë qenë gabim dhe thotë që është mirë që ajo temë u tejkalua.

“Diskutimet për territor kanë qenë gabim. Është mirë që është tejkalu ajo, dhe nuk guxojmë ta mbajmë gjallë si temë”, ka thënë ai.

Sa u përket raporteve me Mogerhinin, Haradinaj thotë se nuk e ka problem atë si emër, por temat që ajo ka lejuar të diskutohen në tavolinë.

“Ne nuk kemi qenë kundër që me udhëheq Mogherini, por kemi qenë kundër që me deviju dialogu. Pra është dashur të diskutohet për njohje, por ka devijuar dialogu në territore. Ajo tashmë po e kryn mandatin, por problemi nuk ka qenë me të por me materie”, është shprehur ai. /GazetaExpress/

Qeveria e Kosovës miraton tri nisma për njohje të patentave të shoferëve jashtë vendit

Qeveria e Kosovës të martën ka miratuar nismat për lidhje të marrëveshjeve ndërkombëtare me Malin e Zi, Zvicrën dhe Francën, për njohje reciproke të patentave të shoferëve. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mosnjohja ndërkombëtare e dokumenteve personale të Kosovës është bërë shqetësim i madh për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit.

Autoritetet në Kosovë thonë se që nga viti 2013 kanë filluar negociatat me disa nga vendet e Bashkimit Evropian që të arrijnë marrëveshje reciproke për njohje ndërkombëtare të dokumenteve personale të Kosovës, konkretisht për njohje të patentë-shoferëve.

Studentët bllokojnë Rektoratin e Prishtinës, ja çfarë kërkojnë

KOSOVË

Parlamenti studentor po zhvillon këtë të martë një protestë para Rektoratit të Prishtinës, ndërsa nuk lejojnë asnjeri të futet brenda tij.

Studentët kërkojnë me ngulm përmirësimin e infrastrukturës në fakultete si dhe në kushtet mësimore. Ata shprehen se do të vijojnë qëndresën e tyre deri në përmirësimin e kushteve.

Sipas organizatorëve, protesta e sotme është parashikuar të zgjasë për dy orë.

ALI AHMETI DHE MENDUH THAÇI PËRÇARËSIT MË TË MEDHENJ TË SKENËS POLITIKE NË MAQEDONINË VERIORE – Nga BINAK MAXHARRAJ

(Ata i dhanë grusht të forë kauzës shqiptare duke e injoruar kandidatin shqiptar Blerim Rekën për President)

U mbajtën dhjedhjet e para ne Maqenonin Veriore me këtë emer. Ishin tre kandidat. Të dy kandidatet Maqedonas moren përafersishte nga mbi 42% qe edhe do te shkojnë ne balotazh më 5 maj 2019.

Kandidati i pavaruar ,akademiku,profesori dhe diplomati i karijeres Blerim Reka mor diçka mbi 10% të votave ose për te votuan mbi 79 mijë qytetar,anipse realishtë është pritur qe Reka te dilte diçka më mirë.

Kjo pse Reka nuk doli me mirë ne zgjedhje është fajtor faktori Shqiptar, nga se shqiptarët në Maqedonin veriore sikur nuk e morën seriozisht këto zgjedhje sepse nuk dolën masovikishtë në zgjedhje.

Por është edhe një fakt tjëtër poashtu i fuqishëm pse Reka nuk fitoj më shumë vota,kjo erdhi si pasojë e vetë faktorit shqiptarë i cili nuk ishte imunifikuar në këto zgjedhje duke lënë shpreslën së nuk janë te interesuar për Rekën.Shkurtë dy lidert e partive me te medha Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi ashiqare i bënë thirrje qe te votojnë kandidatin konsesual maqedonas e jo kandidatin shqiptar.

Kështu jemi na shqiptarët kur janë në pyetje çështjet kurciale për shqiptarët perqahën duke lidhë me dreqin e të birin vetem qe te fitoi kanditati Maqedonas.Humbjes se Blerim Rekës si duket iu gëzuan me së shumti vetë Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi,bash sikur ky Thaçi i jonë në Kosovë,janë të lidhurm me shumë me sllavizmin për interesat e tyre e jo të popullit.

Bile kodoshi Menduhë Thaçi shkojë aq largë,kur menjëherë pas shpajjlës së rezultatave te para deklaroi së Shqiptarët nuk kanë kurr shanse qe te zgjedhin Presidentin shqiptar.

Ky njëri i pa tru,apo me tru bosh,e thotë një të “vertetë”sepser përdserisa ky dhe Ali Ahmeti bajnë pazare të pista me slavvet,pra me armiqet tanë shekullor për për karijerjerë dhe interesat e tyre përsonale,faktori shqiptare do te jetë gjithëmonë i përqarë ne dobi te armikut.Dhe mu për këtë arësye,siç thotë Menduhë Taçi,shqiptaret ne Maqedonin Veriore nuk do ta marrin kurr Presidencen,jo se jo derisa këta dytje te jenë në pushtet më pushtetasit maqedonas.

Ky është mjerimi i jonë edhe si njerëz edhe si intelektual,sepse një ditë në ndonjë zjgedhje tjeter kur faktori shqiptare te jetë i unifikuar e jo i përqar,me siguri do te dalin edhe rezultate tjera zgjedhore.

Monumentet kulturore në Kosovë pa mbrojtje nga zjarri

Donika Alihajdaraj

Asnjë objekt kulturor në Kosovë nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit dhe kjo paraqet rrezik për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, ka thënë Kaltrina Thaçi, arkitekte në organizatën “Cultura Heritage Without Borders” (Trashëgimia Kulturore pa Kufij), zyra në Kosovë.

Shumë vende në Evropë kanë filluar t’i shikojnë masat mbrojtëse kundër zjarrit në ndërtesa me rëndësi të veçante kulturore, pas zjarrit në Katedralen mesjetare, Notre Dame, në Paris.

Katedralja mesjetare, Notre Dame, në zemër të Parisit, është përfshirë nga zjarri ditën e hënën, mirëpo zjarrfikësit arritën të shpëtojnë strukturën kryesore të gurit të ndërtesës gotike, të vjetër 850 vjet, pavarësisht se maja dhe çatia u shembën.

“Asnjë aset i trashëgimisë kulturore nuk ka sistem të mbrojtjes kundër zjarrit të instaluar brenda”, ka thënë Kaltrina Thaçi nga CHWB, zyra në Kosovë për Radion Evropa e Lirë.

“Në Kosovë kemi mungesë të rregullores, e cila do të thotë përcakton kushtet e mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesat e trashëgimisë kulturore. Kjo duhet të jetë një rregullore specifike, e cila të tregon se çfarë parametra duhet të ketë ndërtesa dhe si të bëhet instalimi i mbrojtjes kundër zjarrit në ndërtesa historike, për shkak që kjo dallon prej ndërtesave të tjera publike, të cilat nuk kanë status të mbrojtjes”, ka shpjeguar ajo.

Gjithashtu, sipas Thaçit, gjendja e trashëgimisë kulturore në shtetin e Kosovës është shumë e degraduar.

Trashëgimia Kulturore dhe Fetare e Kosovës

Më 21 tetor të vitit 2015, 58 anëtarë të UNESCO-s votuan prapa dyerve të mbyllura në Paris, për rekomandimin mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, edhe pas kundërshtimeve të ashpra të Serbisë dhe aleatëve të saj. Anëtarësimi i Kosovës do të vendoset me votën finale në Konferencën e Përgjithshme të hënën më 9 nëntor, ku Kosovës do t’i duhen 2/3 e 195 anëtarëve të agjencisë së Kombeve të Bashkuara. Asnjë anëtar nuk e ka fuqinë e vetos. Radio Evropa e Lirë ka përgatitur një fotogaleri me disa pamje të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.

Në vitin 2018, CHWB-ja ka bërë një raport për gjendjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Në raport thuhet se mbrojtja e trashëgimisë kulturore ka qenë fare pak në agjendë të qeverive qendrore dhe atyre komunale.

“Rezultatet e intervistave të realizuara dëshmojnë që një përqindje e madhe e institucioneve lokale dhe qendrore në Kosovë, nuk posedojnë plane konkrete për mbrojtjen dhe trajtimin e aseteve të trashëgimisë kulturore, rezultat ky që dëshmon që trashëgimia kulturore vazhdon të mos jetë një aspekt i rëndësishëm i agjendave vjetore të institucioneve të Kosovës, duke e lënë atë si një temë, e cila shtjellohet vetëm në raste kur këto asete janë në rrezik të shkatërrimit”, thuhet në raport.

*Video nga arkivi: Kullat, shënjestra të luftës që mbijetuan

Ndërsa, Vjollca Aliu, drejtoreshë në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziqet kryesore që i kanosen trashëgimisë kulturore në Kosovë, janë zhvillimet e pakontrolluara.

“Aseteve të trashëgimisë kulturore u kanosen rreziqe nga më të ndryshme siç janë transformimet strukturore nga shkaqet klimatike, nga gjelbërimi i pakontrolluar, nga faktori njeri dhe sa i përket zhvillimit hapësinor trashëgimisë i kanoset rreziku posaçërisht nga zhvillimi i pakontrolluar. Zhvillimi i pakontrolluar më vete bie një mori problemesh, jo vetëm siç është prishja e kuadrit vizual, por edhe prishja e qasjes hapësinore në objekt që shpesh rezulton me probleme në implementimin e strategjive për parandalimit të rrezikut”, ka thënë Aliu.

Prizreni është qyteti që ka një numër të madh të objekteve më rëndësi kulturore.

Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për zhvendosjen e Ministrisë së Kulturës në Prizren.

Shumë objekte kulturore në këtë qytet kanë pësuar dëmtime si pasojë e protestave të dhunshme, moskujdesi nga komuna, ndërtimet ilegale etj.

Valon Xhabai drejtor në organizatën “Ec Ma Ndryshe” në Prizren që merret me aktivizmin qytetar, e sidomos me atë kulturor, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rreziku më i madh, i cili i kanoset trashëgimisë kulturore, është faktori njeri.

“Faktori njeri nuk është kujdesur aq sa duhet, faktori njeri i ka rrënuar shtëpitë e vjetra, faktori njeri edhe kur është dashur të intervenohet në diçka, nuk e ka bërë intervenimin ashtu siç duhet sipas standardeve që duhet”, ka vlerësuar Xhabai.

Në vitin 2016 për herë të parë në Kosovë është krijuar databaza online e trashëgimisë kulturore nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku vendosen të gjitha të dhënat për çdo monument që gjendet në Republikën e Kosovës.

REAGIM – Të pavërtetat nuk i bëjnë nder heroit Sali Çekaj dhe as luftës çlirimtare e heroike të Kosovës! – Nga HAFIZ GAGICA

Dje, me 19. 04. 2019, në Prishtinë nën patronatin e kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës u mbajt akademi përkujtimore kushtuar heroit të Kosovës, Sali Çekaj, në të cilën ushtaraku, Kastriot Hoxha, tani në pension, lexoi një fjalim i cili binte në kundërshtim me kodin ushtarak dhe politik .

E para, ushtaraku K. Hoxha dhe kolegët e tij kanë qenë të angazhuar për stërvitje të grupeve të para ushtarake të Kosovës në Shqipëri në vitin 1991 nga ushtria shqiptare dhe atë nga një rreth i ngushtë i hierarkisë së ushtrisë, si dhe për kujdesin edhe akomodimin e tyre në Surrel, por jo edhe për organizime tjera!

Ushtaraku, K. Hoxha, sikur i porositur lexoi dje në akademinë në fjalë një shkrim të përgatitur, se gjoja në bazë të marrëveshjes së “dy qeverive”, asaj të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Exil, ai së bashku me kolegët tjerë në bazë të asaj marrëveshjeje e paskan bërë ‘’organizimin, planifikimin dhe trajnimin e tyre’’. Ai, mund të fliste se me çfarë armësh kanë ushtruar djemtë tanë në Shqipëri, çfarë ushqimi kanë ngrënë dhe cilat rroba i kanë përdorë, por jo edhe për përmbajtje politike dhe ushtarake të marrëveshjes. Me aq sa unë e di, personin në fjalë, janë shefat e tij të cilët e kanë dërgue atje lartë në Surel për t’i ushtrue djemtë tanë, e jo për të bërë lista, pasiqë një gjë e tillë ka qenë rrebtësisht e ndaluar!

Duke e dëgjue fjalimin e djeshëm të ushtarakut K. Hoxha, jam i shtyrë të reagoj, sidomos ndaj atyre që e kanë ftuar në akademinë përkujtimore për Sali Çekajn, sepse ai si ushtarak do duhej ta dinte se kush nga ana kosovare e bëri marrëveshjen me qeverinë shqiptare në Tiranë, sepse në kohë të marveshjes me kreun e shtetit shqiptar si dhe përgatitjet e grupeve për t’u dërguar për ushtrime ushtarake në Shqipëri, nuk kishte akoma qeveri të Kosovës në exil.

Nga kjo rrjedhë se: nuk kishte marrëveshje mes dy qeverive, që rezulton se K. Hoxha nuk e dinte se kush dhe çfarë roli kishte në ato grupe, sepse të gjithë ishin të barabartë dhe në atë kohë nuk kishte komandantë, por patriotë dhe intelektualë që shkuan me dëshirë të madhe në Shqipëri për të ushtruar me disa armë të nevojshme për rrethanat e situatës në Kosovë.

Vendimi për t’u kthye në Kosovë përmes vijës tokësore në këmbë të një pjese të stërviturve është marrë në Zyrën e Kosovës në Tiranë, me 21 tetor 1991, shef i asaj Zyre ishte Profesor Ali Aliu i deleguari i Presidentit Rugova ne Shqipëri dhe, me atë rast Sali Çekaj vullnetarisht e ka marrë përsipër me hy në këmbë në Kosovë, kurse me logjistikën dhe përgatitjet tjera është marrë Halil Hyseni!

Ata që e kanë njohur mirë Sali Çekajn, e dinë se ai nuk do pranonte shtrembërime të këtilla të historisë të cilat në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës përmes deklaratave kundërthënëse, vetë lavdeve dhe gënjeshtrave të shumta. Me qëllim të shtrembërimit të fakteve historike rreth përgatitjeve tona për vetëmbrojtje si dhe për vetë ecurinë e saj. Përmes gënjeshtrave të qëllimshme, nuk i bëjnë nderë luftës tonë çlirimtare dhe as heronjve të Kosovës !

Me duhet ta përsëris për të satën herë, se organizimin e grupeve të para guerile dhe dërgimin e tyre në Shqipëri për stërvitje e kanë bërë dy Degët e LDK-së, ajo në Gjermani dhe ajo në Zvicër dhe e gjithë puna është koordinuar përmes Zyrës së Kosovës në Stuttgart, Zyrës së Kosovës në Tiranë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, nga e cila ministri ka qenë i ngarkuar Halil Hyseni, shef i furnizimit të ushtrisë shqiptare. Prandaj iu bëjë thirrje atyre që duan të merren me faktet e vërteta historike të ndalen me shtrembërimin e tyre, sepse kështu nuk i shërbejnë të mirës së Kosovës dhe kombit shqipëtar!

Saliu, ishte ndryshe nga të gjithë ata që sot flasin për të, ngase ai ishte vetë historia e re e Kosovës, dhe çuditërisht asnjëherë ata analistë dhe “historianë’’ të Saliut nuk e thonë, se ai ishte pjesë e Degës së LDK-së në Gjermani ku punoi 8 vite pa u ndalur kurrë. Saliun e madhështon edhe më shumë, përpjekja e tij për unifikimin e të gjitha forcave ushtarake duke e rreshtuar atë në pjesën më të ndritshme të historisë sonë të lavdishme, ngase pikërisht ishte madhështia e tij ajo e cila ngriti në piedestalin e heronjve të Kosovës!

Hafiz Gagica,
ish udhëheqës i Zyrës së Kosovës në Stuttgart, ish kryetar i LDK-së, Dega në Gjermani si dhe kryetar i Kolegiumit të degëve të LDK-së në Perëndim.

Stuttgart, 20. 04. 2019

110 të kthyer nga Siria në Kosovë

Të kthyerit nga Siria po mbahen në Qendrën për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll afër Prishtinës.

Autoritetet në Kosovë thanë të shtunën se në Kosovë janë kthyer 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës në Siri.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se kthimi ishte operacion i qeverisë së Kosovës me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Rashit Qalaj, drejtor i policisë së Kosovës, tha se në mesin e të kthyerve janë “katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”.

Edhë më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Ministri i Drejtësisë, tha se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim. Tashmë katër luftëtarëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh me kërkesë të prokurorisë së posaçme.

“Gra dhe fëmijë ishin viktima të papërgjegjësisë së personave që për interesa të ndryshme i kanë shfrytëzuar duke ua mohuar të ardhmen pa vullnetin e tyre, duke i lënë me pasoja të mëdha e në raste të caktuara edhe viktima”, tha ministri Tahiri.

Operacioni i kthimit u krye të premten rreth mesnatës.

Ambasada amerikane lëshoi të shtunën një komunikatë në të cilën thuhet se “Shtetet e Bashkuara e përgëzojnë Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë. Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e rrugës së njëjtë”.

Në komunikatë thuhet se “Shtetet e Bashkuara u janë mirënjohëse Forcave Demokratike të Sirisë për mbështetjen e riatdhesimit dhe për vazhdimin e mbajtjes humane nën arrest të qindra luftëtarëve të ISIS-it nga dhjetëra vende tjera”.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Në muajin shkurt presidenti amerikan, Donald Trump shkroi se “Evropa duhet të marrë mbrapsht mbi 800 luftëtarë të Shtetit Islamik të kapur në Siri – ose përndryshe Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen t’i lirojnë dhe kjo do të bënte që ata të “depërtonin në Evropë”, tha presidenti. Aleatët duhet ta marrin parasysh mirë mesazhin, i tha Zërit të Amerikës, atëbotë ish-ligjvënësi republikan Darell Issa.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.


Send this to a friend