VOAL

VOAL

Beteja për drejtësi në rastin e vrasjes së 11-vjeçarit Kujtim Veseli

Shkëlqim Hysenaj

Të hënën, më 12 tetor, 2020, Gjykata Themelore e Prishtinës do të shpallë aktgjykimin ndaj S.O, i akuzuar për dhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçarit, Kujtim Veseli nga Fushë Kosova.

Kujtimi, që përkiste komunitetit ashkali, u gjet i vdekur më 11 korrik, 2019, poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë.

Ndonëse procesi gjyqësor ka ardhur në fund, familja dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, nuk po pajtohen me faktin se nuk pati asnjë hetim penal ndaj prokurorëve dhe zyrtarëve policorë, neglizhenca e të cilëve sipas tyre çoi në vdekjen e Kujtimit.

Avokatja Rina Kika, që përfaqëson në gjykatë familjen Veseli, thotë për Radion Evropa e Lirë se vrasja e Kujtimit mund të parandalohej sikur, S.0, të ishte arrestuar kur herën e parë u denoncuar për dhunim seksual të Kujtimit më 29 janar, 2019.

“Kur e kanë intervistuar [Policia e Kosovës], ai [S.O] e ka pranuar se ka dhunuar një fëmijë dhe nuk ia kanë caktuar ndalimin policor, që është një gjë që mund ta bëjë policia pa lejen e prokurorisë dhe e dyta nuk është kërkuar paraburgimi i tij nga prokuroria”, thotë Kika.

S.O akuzohet se ka dhunuar vazhdimisht Kujtimin edhe para datës 11 korrik, 2019, ditën kur u gjet i vrarë.

Sipas shkresave të rastit, S.O, akuzohet se ka dhunuar seksualisht Kujtimin edhe më 29 janar, 2019, për çka ishte denoncuar në polici nga babai i tij dhe nëna e viktimës.

Pavarësisht veprës së rëndë panel për të cilën dyshohej, S.O, intervistimi nga Policia e Kosovës, u krye vetëm pas 65 ditësh, më 4 prill, 2019.

Në këtë intervistë, S.O, pranoi se ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën.

Tek pas 65 ditësh, Policia e Kosovës, kërkoi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ekzaminim mjekoligjor të Kujtimit, por kjo e fundit, tha se s’kishte nevojë.

Edhe pse rasti u paraqit në polici më 29 janar, 2019, ky institucion parashtroi kallëzim penal në Prokurori Themelore të Prishtinës, vetëm më 12 prill, 2019.

Dështimi i Prokurorisë në trajtim efektiv të rastit

Përkundër faktit se S.O, kishte pranuar se ka dhunuar seksualisht Kujtimin, ndaj tij nuk u lëshua urdhërarrest e as nuk iu caktua masa e paraburgimit.

S.O, vazhdoi të lëvizte i lirë deri më 11 korrik, 2019, kur besohet se fillimisht dhunoi e më pas ia mori jetën Kujtimit, 11-vjeçar.

Para vrasjes, Prokuroria Themelore e Prishtinës, kishte nxjerrë aktvendim për nisjen e hetimeve, mirëpo i pezulloi ato më 26 qershor, 2019, pasi që i dyshuari, S.O, nuk ju kishte përgjigjur ftesës së prokurorisë.

I dyshuari ishte person i njohur për institucionet e rendit pasi kishte aktive 15 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Avokati i Popullit: Policia dhe Prokuroria nuk e mbrojtën Kujtimin

Në dhjetor të vitit 2019, Institucioni i Avokatit të Popullit bëri një hetim “Ex-officio” për këtë rast.

Ky institucion kishte gjetur shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës.

Në veçanti, në raportin e Avokatit të Popullit të datës 6 dhjetor, 2019, u tha se zyrtarët policorë dhe prokuroria kishin dështuar që ta mbronin Kujtimin.

“Avokati i Popullit vërën se viktima ishte intervistuar shtatëdhjetë e dy ditë (72), pasi Policia e Kosovës ishte njoftuar se fëmija mund të jetë viktimë e abuzimit seksual”, thuhet në një nga gjetjet e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit bënë përgjegjës prokurorinë për neglizhencë të vazhdueshme të rastit pavarësisht se dinin rrezikun me të cilin përballej fëmija.

“Organet e hetuesisë kanë dështuar të jenë efektive në arrestimin dhe në ndalimin e të dyshuarit, vlerësimin e rastit, si dhe shqiptimin e masave ligjore për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale”, thuhet më tej në raportin e Avokatit të Popullit.

Ky institucion kërkoi një hetim të brendshëm lidhur më dështimin e prokurorisë për përmbushjen e detyrimeve pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë.

Krejt çfarë ndodhi ishte nisja e një hetimi për shkelje eventuale disiplinore.

Më datë 12 nëntor, 2019, Këshilli Prokurorial i Kosovës i Kosovës konstatoi se prokurori Ruhan Salihu kishte kryer shkelje disiplinore përmes veprimeve të tij në rastin vrasjes së Kujtim Veselit.

Por, dënimi ishte vetëm masë administrative.

“Zvogëlim i përkohshëm i pagës në 30 për qind për një periudhë kohore 6 muaj”, thuhet në vendimin e Këshillit Prokurorial për këtë rast.

Avokatja e familjes Veseli, Rina Kika, thotë se nuk mund të ketë drejtësi pa hetim penal ndaj personave përgjegjës në polici e prokurori.

“Hetimi disiplinor është administrativ. Përgjegjësia penale është një gjë tjetër. Ne po kërkojmë që të ketë hetim sepse janë dy vepra penale në Kodin Penal të Kosovës që ne po konsiderojmë se këta [Prokuroria] duhet ta shikojnë se a ka pasur përgjegjësi penale nga prokurorët apo zyrtarët e policisë”, thotë Kika.

Kika thotë se neglizhenca e policisë dhe prokurorisë përfshinë dy vepra penale si; shkelja e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës si dhe moskryerja e detyrës zyrtare.

“Është marramendëse sa provat i kanë pasur dhe se si kanë vendosur mos ta kryejnë detyrën zyrtare”, thotë Kika.

Policia s’gjeti shkelje nga zyrtarët e saj

Një hetim të brendshëm për rastin e vrasjes së Kujtimit e ka kryer edhe Policia e Kosovës.

Ky hetim u krye nga Drejtoria e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës ndaj dy zyrtarëve policorë.

Por, procedurat hetimore pushuan për shkak se nuk u gjetën shkelje disiplinore.

“Drejtoria e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së Kaluarës, ka iniciuar dhe hetuar dy zyrtarë policorë, me ç’rast me 24.03.2020, kanë pushuar procedurat për shkak se gjate hetimeve nuk janë gjetur elemente te shkeljeve disiplinore për dy zyrtarët e hetuar”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës dhënë organizatorëve të peticionit “Drejtësi për Kujtimin”, më 17 shtator, 2020.

‘U neglizhua vetëm pse ishte ashkali’

Gazmend Qyqalla një nga aktivistët kryesorë në kërkimin e drejtësisë për rastin e Kujtimit, thotë se rasti u neglizhua nga zyrtarët e institucioneve kosovare vetëm pse ai ishte i pjesëtar i një komuniteti joshumicë.

“Fatkeqësisht nga ajo që kemi parë deri me tash, ky neglizhim është vetëm për shkak të përkatësisë etnike”, thotë Qyqalla.

Qyqalla thotë se për të pasur drejtësi, atëherë duhet ndjekje penale për çdo person që punon brenda institucioneve e që ka pasur përgjegjësi për këtë rast.

“Nëse dënohet vetëm, S.O dhe nuk dënohen pjesa tjetër përgjegjës, mendoj se nuk shkon drejtësia në vend për arsye se edhe ata janë bashkëfajtorë”, thotë Qyqalla.

Kërkohet kërkim-falje dhe dëmshpërblim

Është bërë një vit prej se një grupi i aktivistëve “Drejtësi për Kujtimin” kanë organizuar protesta e aktivitete kundër neglizhencës të cilën ata besojnë se kanë shfaqur institucionet në rastin e Kujtim Veselit.

Një peticion me më shumë se 1,200 nënshkrime u dorëzua në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe në qeveri.

Përmes peticionit, u kërkua nga Policia dhe Prokuroria kërkim-falje publike ndaj familjes së Kujtimit për shkeljen e të drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit, nga Kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit u kërkua inicimi i hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin si dhe nga Qeveria e Kosovës u kërkua që të kompensojë për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim.

Sipas aktivistëve, deri më tani nuk është përmbushur asnjë nga kërkesat.

Përmes një letre, të datës 31 gusht, 2020, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, shprehi keqardhje për vdekjen tragjike të Kujtimit duke thënë se me ngritjen e aktakuzës ndaj S.O dhe marrjen e masave disiplinore ndaj prokurorëve nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), është bërë gjithçka që kërkohet nga ky institucion.

Por, rastin e vrasjes së Kujtimit, e ktheu në institucione politike, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, të enjten më 8 tetor, 2020.

“Vrasja e Kujtim Veselit është pasojë e dështimit të dyfishtë. Është dështim i bashkëndjesisë njerëzore si dhe është dështim i përgjegjësisë dhe profesionalizmit institucional”, tha Osmani në fjalën e saj.

Osmani tha se shoqëria kosovare ka dështuar që të luftojë sa duhet racizmin ndaj komuniteteve rom, ashkali, egjiptian.

Pak ditë para se të shpallet aktgjykimi për rastin, Radio Evropa e Lirë ka provuar të flasë më familjen e Kujtimit, mirëpo, avokatja mbrojtëse ka thënë se familja nuk do të deklarohet pasi që janë në pritje të vendimit.

Walker: Vuçiçi e di çfarë ka ndodhur në Reçak, Kosova nuk do të jetë kurrë më pjesë e Serbisë

Ish-kreu i Misionit të OSBE-së në Kosovë, diplomati amerikan William Walker, duke komentuar deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, ka thënë se nuk ka punuar për CIA-n dhe nuk ishte pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë. Ai tha se Vuçiç flet të pavërteta lidhur me masakrën e Reçakut dhe se Kosova kurrë më nuk do të jetë pjesë e Serbisë.

Walker, në një intervistë për BBC në serbisht, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ende e përmend atë me informacion të pasaktë, të cilin Vuçiq e di se nuk është e vërtetë, “sepse ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Reçak”, dhe shton se kjo e irriton atë.

Ai e kujton presidentin serb, Aleksandër Vuçiç si ministër të Informacionit nga Partia Radikale Serbe, Vojislav Sheshelit në regjimin e Slobodan Milosheviçit.

“Kanë kaluar njëzet vjet dhe mund të falim dhe të harrojmë gjërat e pasakta që ata thanë për mua – Unë nuk kam punuar për CIA, nuk kam qenë pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Serbisë.
Vuçiçi është president sot, dhe për ndonjë arsye ai ende më përmend mua, akoma me informata të pasakta, të cilat ai gjithashtu e di se nuk janë të vërteta sepse ai e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe Reçak – dhe kjo më irriton”.

Walker thotë se ai nuk e ka takuar personalisht Vuçiçin, por i ndjek deklaratat e tij.
“Është hipokrite që dikush nga regjimi i Milosheviçit të përmendë gjenocidin dhe spastrimin etnik, duke aluduar se shqiptarët e Kosovës mund të përsërisin 17 marsin [2004], veçanërisht kur nuk ka fakte prapa pretendimit dhe në të njëjtën kohë pretendohet se mbrojnë marrëdhënie të mira me Prishtinën”, tha ai.

Walker gjithashtu tha se ai nuk ishte një mbështetës i bombardimeve të Ish- Jugosllavisë [Serbisë], por ishte angazhuar për ndërhyrje tokësore dhe shprehu mendimin se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë.

Diplomati amerikan nuk ka dyshim për të ardhmen e rajonit. “Unë mendoj se Kosova nuk do të jetë më kurrë pjesë e Serbisë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar gjëra të vështira nën regjimin e Milosheviqit…”, ka thënë Walker.

Policia me raport zyrtar për arrestimin e Haki Rugovës dhe të tjerëve

Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar Kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugovën, dhe dy zyrtarë të tjerë, raporton Express.

Përmes raportit 24 orësh, është bërë e ditur se ata janë arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikt interesi dhe falsifikim i dokumentit.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, për të njëjtit ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale të lartcekura. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndryshe, Haki Rugova dyshohet se në cilësinë e kryetarit të komunës i ka krijuar favore të mëdha financiare kompanisë së një familjari.

Arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes.

“4 vendime të Kuvendit Komunal për dhënie të Parcelave publike në shfrytëzim për gurthyes” ka thënë avokati Besnik Berisha mbrëmë në RTK, teksa ka treguar arsyen e arrestimit të klientit të tij, Haki Rugovës./Gazeta Express

Kosovë: Arrestohet kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova

Policia e Kosovës tha se arrestoi të premten mbrëma kryetarin e komunës së Istogut, Haki Rugova dhe dy zyrtarë të tjerë nën dyshimet për përfshirje në korrupsion.

Policia tha se ka intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “konflikt i interesit” dhe “falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të treve është shifruar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Haki Rugova është po ashtu nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila drejton aktualisht qeverinë e Kosovës.

zëri i amerikës

Aeroporti i Gjakovës, me gjithë infrastrukturë, mbeti jashtë funksionit

Luljeta Krasniqi – Veseli

Me gjithë deklaratat e krerëve të institucioneve të Kosovës për vite me radhë se Aeroporti i Gjakovës do të funksionalizohet, duke u përdorur për shërbime komerciale, ushtarake apo edhe shërbime tjera, ky aeroport vazhdon të mbetet jashtë funksionit.

Aeroporti i Gjakovës ishte rindërtuar nga KFOR-i italian dhe që nga paslufta, më 1999, deri në vitin 2013 ishte përdorur me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve ushtarake për aeroplanët e operacioneve të misionit të NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2013, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Italisë dhe Qeverisë së Kosovës, ishte bërë transferimin i Aeroportit të Gjakovës tek autoritetet e Kosovës, përfshirë edhe të gjitha mjetet për operime.

Vlera e mjeteve, të cilat ishin investuar në këtë aeroport nga KFOR-i italian kapte shumën e miliona eurove.

Pas transferimit që ishte bërë nga KFOR-i italian, në vitin 2014, Qeveria e Kosovës pati krijuar ndërmarrjen publike Aeroporti i Gjakovës.

Në atë kohë, Qeveria e Kosovës drejtohej nga kryeministri Hashim Thaçi.

Më 18 prill 2014 kryeministrit Thaçi pati paralajmëruar hapjen e një “akademie të rëndësishme të fluturimit, që do të fillojë të operojë këtu në Aeroportin e Gjakovës”.

Kjo akademi nuk u hap asnjëherë.

E njëjta deklaratë, duke i shtuar edhe atë se ky aeroport do të funksinalizohet për t’u përdorur për udhëtarë, mallra ose edhe si shkollë e pilotimit, ishte përsëritur në vitin 2017 nga ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili kishte ndarë nga buxheti i shtetit edhe 200 mijë euro për nevoja të Aeroportit të Gjakovës.

Institucionet e Kosovës në atë kohë, nuk e kishin hedhur poshtë si mundësi që Aeroporti i Gjakovës t’i jepet në shfrytëzim kompanisë turke “Limak”, e cila menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Por, të gjitha këto deklarata e premtime të dhëna vit pas viti, nuk u realizuan dhe Aeroporti i Gjakovës mbeti jashtë funksionit.

Aeroporti i Gjakovës i kalon Ministrisë së Mbrojtjes

Në vitin 2019 Aeroporti i Gjakovës, me vendim të Qeverisë së Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinaj, i është dorëzuar Ministrisë së Mbrojtjes, e cila edhe tani e ka në shfrytëzim.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh marrjen në shfrytëzim në kohë të pacaktuar të Aeroportit Civil të Gjakovës, për nevojat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Por zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes në një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë kanë treguar se Aeroporti i Gjakovës aktualisht është në gjendje jofunksionale, dhe se vetëm është siguruar roja fizike e aeroportit.

Në planet e Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet në përgjigje, Aeroporti i Gjakovës do të shfrytëzohet për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në funksion të njësive të saj për përmbushjen e detyrave të tyre ligjore.

Në Ministri të Mbrojtjes vlerësojnë se Aeroporti i Gjakovës ka nevojë për investime, të cilat do të realizohen në përputhje me planet paraprake të qeverisë dhe ministrisë, porse nuk jepen detaje se çfarë dhe kur mund të hyjë në funksion ky aset i cili konsiderohet i rëndësishëm në Kosovë.

Gjendja e Aeroportit të Gjakovës sipas ACC-së

Në vitin 2016, Autoriteti i Aviacionit Civil (ACC) i Kosovës, i cili është përgjegjës për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Kosovë, kishte bërë një auditim në Aeroportin e Gjakovës.

Ky raport tregon se në atë kohë, Aeroporti i Gjakovës ishte i mbyllur për operime.

Aeroporti i Gjakovës

Aeroporti i Gjakovës

Ndërkohë, auditimi gjithëpërfshirës në Aeroportin e Gjakovës, kishte vlerësuar infrastrukturën dhe pajisjet ekzistuese.

Në këtë raport, përveç tjerash, thuhet se në Aeroportin e Gjakovës është e instaluar një kullë mobile e kontrollit të trafikut ajror, plotësisht e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër.

Aeroporti i Gjakovës ka në dispozicion sistemin për aterrim instrumental dhe sistemin navigues NDB (Non-directional Beacon) që përdoret si ndihmë për navigim nga ana e pilotëve. Shtohet se aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe, po ashtu, ekziston sistemi i ndriçimit aeronautik në tokë dhe i ndihmesave vizuale dhe atyre të radio-navigimit.

Po ashtu, në këtë aeroport ekziston edhe infrastruktura dhe mjetet për shërbimin e shpëtimit, zjarrfikjes dhe për furnizimin me karburante të aeroplanëve.

Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 km në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët rreth 400m mbi nivelin e detit.

Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1,799 metra e gjatë, 30 metra e gjerë dhe e orientuar në drejtimet 17-35. Sipërfaqja e pistës është asfalt, anët e pistës janë të gjëra 7.5 metra të përbëra nga zhavori.

Hapësira e terminalit të aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkimin, shkarkimin dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.

Ambasada amerikane: Ja pse tërhiqemi nga monitorimi në Këshillin Prokurorial të Kosovës

Ambasada amerikane në Prishtinë, tha të premten se tërhiqet nga proceset e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës, duke i cilësuar të dëmtuara rëndë këto procese.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se për vjet me radhë ajo ka luajtur një rol monitorues në këto procese.

“Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese tani janë dëmtuar rrënjësisht. Atyre u mungon transparenca dhe u nënshtrohen konflikteve në rritje të interesit. Meqenëse përfshirja e mëtejme e Ambasadës, mund të interpretohet si miratim i këtij sistemi të dëmtuar, ne nuk do të marrim pjesë. Prokurorët duhet të zgjidhen në bazë të kualifikimeve të tyre, jo përkatësisë politike ose lidhjeve”, thuhet në komunikatë.

Ambasada nënvizon se ndryshimet në kuadrin ligjor që mbështet Këshillin Prokurorial për të rivendosur transparencën dhe drejtësinë e këtij sistemi janë të nevojshme.

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë javës shpalli zgjedhjet për anëtarë të rinj nga radhët e prokurorive themelore të Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Ferizajt, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u shpreh “thellë i shqetësuar” me vendimin e ambasadës amerikane

“Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, shkroi ai në rrjetin facebook.

Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se bashkë më shpalljen e zgjedhjeve, janë miratuar edhe dorëheqjet e disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial, pak ditë para se të shpallet konkursi për kryeprokurorë të shumicës së Prokurorive Themelore. Konkursi sipas ligjit duhet të shpallet me 1 nëntor.

Ky institut kritikoi “praktikën e kundërligjshme të dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse”.

Ai tërheq vërejtjen se sipas ligjit, “gjatë kohës së ushtrimit të funksionit të anëtarit të Këshillit, i njëjti nuk mund të ngrihet në detyrë në sistemin prokurorial”.

Kjo praktikë, thuhet në reagimin e institutit, “paraqet mungesë të integritetit, politikë të rrezikshme për sistemin prokurorial dhe dëshmi për kapjen e sistemit prokurorial nga një numër i vogël i prokurorëve”.

Kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit zhvillojnë bisedë telefonike

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se ka zhvilluar një “bisedë historike” me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi. Kjo bisedë, sipas saj, shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit.

“Së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje”, tha Haradinaj-Stublla.

Edhe Ministria e Jashtme e Izraelit, përmes një njoftimi, konfirmoi se Kosova do të dërgojë një delegacion në Izrael për të vënë në lëvizje procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

Njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit është e përfshirë në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Konfirmimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem, Haradinaj-Stublla tha se ia ka shprehur edhe kryediplomatit izraelit. Ajo tha se është ftuar për vizitë në Izrael. rel

Prokuroria e Specializuar: Brenda 30 ditësh, aktakuzë ndaj Gucatit

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ka ndërmend që brenda 30 ditësh të ngrejë aktakuzë për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili dyshohet se ka penguar drejtësinë, ndërkaq mbrojtja e tij kërkoi lirimin me kusht.

Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se mbrojta e Gucatit ka parashtruar katër ankesa me shkrim për të kundërshtuar legjitimitetin e arrestimit dhe transferimit të Gucatit në paraburgim në Hagë. Gjyqtari kërkoi nga Zyra e Prokurorit të Specializuar që deri më 2 tetor t’i përgjigjen këtyre kërkesave të mbrojtjes.

“Prokuroria e Specializuar ka ndërmend të dorëzojë aktakuzën brenda një periudhe 30 ditore”, tha prokurorja Valeria Bolici.

Avokati i Gucatit, Jonathan Reese kërkoi lirimin me kusht të klientit të tij, duke paraqitur një sërë kushtesh që kreu i OVL të UÇK-së do të respektonte, nëse gjykata do të pranonte një gjë të tillë.

Ndër të tjerash, avokati Reese përmendi edhe një garanci prej 5 mijë eurosh, që Gucati të jetojë në një adresë të caktuar në Kosovë dhe të raportojë në policinë e EULEX-it.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se mbetja në paraburgim e Gucatit është e nevojshme pasi “ka motive” se ai mund t’i “shmanget drejtësisë”, por edhe të përsërisë veprat të cilat dyshohet se i ka kryer.

Gucati, sipas fletarrestim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, dyshohet për pengim të drejtësisë përkatësisht “për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Gucati u arrestua në Prishtinë më 25 shtator nën dyshimet për pengim të drejtësisë. Ai u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, në kohën kur Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu bastisje në këto zyra. Po të njëjtën ditë u arrestua edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, i cili po ashtu dyshohet se ka penguar drejtësinë.

Tri herë radhazi, OVL e UÇK-së mbajti konferenca për media ku u shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj më 29 shtator ka bërë paraqitjen e tij të parë para Dhomave të Specializuara. Mbrojtja e tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të Haradinajt nga paraburgimi, ndërkaq Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se shumë shpejt do të bëjë gati aktakuzën ndaj Haradinajt.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 24 shtator, Gjykata Speciale ka bërë arrestimin e parë në Kosovë. Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është personi i parë që u arrestua dhe u transferua në Hagë. Ndaj tij është ngritur aktakuzë për krime lufte. Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës, Mustafa nuk është deklaruar se nëse e ndjen veten të pafajshëm apo fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Mbrojtja kërkon lirimin e Haradinajt nga paraburgimi në Hagë

Arton Konushevci

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj doli të martën për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

Gjatë paraqitjes së tij, Haradinaj përsëriti qëndrimin se nuk i njeh Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale.

“Nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh dhe nuk do ta njoh. Jeni me mandat të skaduar që nga 2 gushti”, tha Nasim Haradinaj. Ai akuzoi skenën politike në Kosovë se për “poste dhe rroga të veta” e kanë “thyer Kushtetutën” për këtë Gjykatë.

Kundër Haradinajt ende nuk ka aktakuzë të ngritur, megjithatë Prokuroria në Hagë tha se këtë do ta bëjë së shpejti.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator në një lagje të Prishtinës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.

“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhej në njoftimin e këtyre dhomave.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou teksa ia lexoi të drejtat, i tha Haradinaj se ka të drejtë të kërkojë që të lirohet nga paraburgimi nëse brenda një viti ndaj tij nuk ngritet aktakuzë.

“Nuk janë ngritur ende akuza kundër të dyshuarit. Do të thotë nuk është paraqitur ende aktakuzë nga prokurori i specializuar. Në këtë seancë nuk do të paraqiten dhe nuk do të debatohen prova”, tha gjyqtari Guillou.

Avokati i Haradinajt, Bes Martens njoftoi se mbrojtja ka ngritur mocion për hedhjen poshtë të pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar dhe mocion për lirimin e klientit të tij.

“Ky është një tribunal për krime lufte dhe klienti im nuk është i akuzuar për krime lufte”,

Zyrtarë të Dhomave të Specializuara, gjatë seancës thanë se arrestimi i Haradinajt ishte i domosdoshëm sepse “rrethanat tregojnë se ekziston rreziku i arratisjes së tij, se ka motiv, mjete dhe mundësi për të penguar ecurinë e procedurës” dhe se ai do të përsëriste veprën penale të cilën dyshohet se e ka kryer.

Më 25 shtator është arrestuar edhe kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili dyshohet po ashtu për pengim të drejtësisë. Seanca e parë ndaj tij është caktuar të mbahet më 1 tetor.

Gucati u arrestua në zyrat e kësaj organizate, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjat më shumë se tetë orë.

Arrestimi i Haradinajt dhe Gucatit ndodhi pasi kjo organizatë të cilën ata e udhëheqin, tri herë radhazi mbajti konferenca për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten e kaluar se ka arrestuar nën dyshime për krime lufte, Salih Mustafën njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Ky ishte arrestimi i parë në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mustafa nuk deklarohet nëse e pranon apo nuk e pranon aktakuzën

Shkëlqim Hysenaj

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.

“Nuk do të deklarohem sot, do të konsultohem me avokatin”, tha Mustafa, i cili do të mbesë në paraburgim.

Sipas rregullave të Dhomave të Specializuara, Mustafa ka të drejtë që në një periudhë brenda 30 ditësh të deklarohet i pafajshëm apo i fajshëm për akuzat ndaj tij.

Aktakuza e konfirmuar e ngarkon Mustafën për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës. Gjatë seancës publike është thënë se “ekziston dyshimi i bazuar mirë se zoti Mustafa është përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve”.

Avokati i Mustafës, i caktuar nga gjykata, Julius Von Boné, tha se mbrojtja mund të sfidojë legjitimitetin e Dhomave të Specializuara.

“Mbrojtja në këtë moment nuk e përjashton mundësinë e dorëzimit të mocioneve të cilat kundërshtojnë juridiksionin apo ligjshmërinë e gjykatës dhe fakti që jemi këtu sot nuk do të thotë që mbrojtja e pranon gjykatën si të tillë, por këtë do ta bëjmë me kalimin e kohës përmes mocioneve tona”, tha Boné, i cili po ashtu kërkoi që i gjithë dokumentacioni i rastit të klientit të tij të jetë i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në letër.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou në fillim të seancës ia lexoi veprat për të cilat akuzohet se Mustafa i ka kryer gjatë vitit 1999.

Po ashtu, Mustafa u informua nga gjyqtari i procedurës paraprake për të drejtat e tij si dhe iu tha se ka të drejtë të kundërshtojë masën e paraburgimit.

Mustafa u arrestua më 24 shtator në shtëpinë e tij që gjendet në periferi të Prishtinës, pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Foto nga seanca ndaj Salih Mustafës.

Foto nga seanca ndaj Salih Mustafës.

Çfarë përmban aktakuza ndaj Salih Mustafës?

Në bazë të aktakuzës, e cila iu konfirmua më 12 qershor, Mustafa dyshohet për disa vepra penale, përfshirë torturën dhe vrasjen e paligjshme.

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person –identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar – “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”.

Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njësit, siç thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Mustafës, kishte rreth 600 ushtarë dhe vepronte në zona urbane si Prishtina dhe Obiliqi.

Sipas aktakuzës, ky njësit e përdori kompleksin në Zllash si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Viktimat e këtyre krimeve, që pretendohen në aktakuzë, ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime, thuhet në aktakuzë.

Arrestimi i krerëve të OVL të UÇK

Ndryshe, një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, një bastisje prej më shumë se 8 orësh u krye në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aksioni i bastisjes u bë nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ky aksion rezultoi me arrestimin e kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati si dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje në Hagë për dyshimet për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Arrestimi i tyre ndodhi pasi ata kanë organizuar tri konferenca për media në të cilat ata, sipas Dhomave të Specializuara, kanë bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gucati po ashtu akuzohet se nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale.

Enigma e dosjeve

Tri herë radhazi Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendoi se ka pranuar mijëra dosje origjinale të hetimeve që kanë kryer prokurorët e Gjykatës Speciale.

Këto dokumente, disa prej të cilave iu shpërndanë mediave, sipas OVL të UÇK-së përmbanin dëshmitë dhe emrat e dëshmitarëve që kishin dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që mund të jenë të akuzuar potencialë.

Mirëpo pavarësisht këtyre pretendimeve, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë konfirmuar autenticitetin e këtyre dosjeve.

Përmes një reagimi, Prokuroria e Specializuar në Hagë tha se disa aktivitete, në të cilat ishte përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Rasti Thaçi –Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar poashtu ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur për shqyrtim te Dhomat e Specializuara edhe një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Në këtë aktakuzë, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Që nga publikimi i këtij informacioni në muajin prill, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë njoftuar për konfirmim ose jo të aktakuzës.

Sipas procedurës, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat apo jo.

Ndryshe, Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.

Sali Mustafa para Gjykatës së Posaçme të Kosovës për krime lufte

Ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë, pak ditë pasi u arrestua nga Prokuroria e Posaçme të enjten me 24 shtator dhe u transferua në njësinë e paraburgimit në Hagë.

Ai është personi i parë i arrestuar nga Dhomat e Specializuara, ku sot gjykatësi i procedurës paraprake Nichoas Guillou, e njoftoi atë me detyrimet dhe të drejtat e tij. Zoti Mustafa ka tani një afat prej 30 ditësh që të deklarohet rreth aktakuzës së konfirmuar më 19 qershor, e cila e ngarkon atë “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Sipas akuzës “afërsisht midis 1 prillit të vitit 1999 dhe 19 prillit të vitit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, (një zonë në lindje të Prishtinës) janë kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ai kishte shërbyer edhe si këshilltar i ish kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, i cili gjatë luftës kishte shërbyer si komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Agim Çeku

Agim Çeku

Zoti Çeku u intervistua të hënën në Hagë nga zyra e Prokurorit të Posaçëm.

Avokati i tij Artan Qerkini tha se intervista përfundoi pas mesditës, por nuk dha ndonjë hollësi tjetër. Zoti Çeku më herët kishte pohuar se është ftuar në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.

Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Të enjten më 25 shtator, prokuroria e posaçme arrestoi kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, dhe nënkryetarin e kësaj organizate Nasim Haradinaj, nën dyshimet “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Organizata e Veteranëve të Luftës në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Bekim Jashari thotë se arrestimet e Speciales janë plan i dikujt brenda Kosovës, për kë e ka fjalën?

Arrestimet e së premtes në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për kryetarin e Skënderajt, Bekim Jasharin janë spektakël i mirorganizuar në tavolinë.

Në këtë organizim, sipas tij kanë marrë pjesë edhe liderë politikë të Kosovës, në bashkëpunim me njerëz jashtë vendit. Në një intervistë për Euronews, Jashari ka thënë se liderët politikë në vend po e shkaktojnë këtë për ta mbrojtur e shpëtuar veten e tyre, shkruan Gazeta Express.

“Të ndodhë një gjë e tillë, e përgatitur, e planifikuar nga njerëz të vendit tonë në bashkëpunim me njerëz jashtë vendit tonë.. liderët tanë politik që janë sot apo pas lufte në skenën politike. Absolutisht e bëjnë për ta mbrojtur veten e tyre. Politikanët tanë, fatkeqësisht janë në gjendje ku me ditë çfarë të bëjnë vetëm për ta shpëtuar vetveten, që është për keqardhje dhe nuk guxon të ndodhë”, është shprehur Jashari i revoltuar.

Dosjet e Tribulanit Special, Jashari thotë se në OVL të UÇK’së i solli një dorë e pushtetit.

“Kush i solli ato dosje tre herë radhazi? I solli një dorë e fortë, një dorë që ka pushtet, qoftë në Kosovë, qoftë jashtë Kosovës dhe asnjë njeri deri më sot nuk dëgjova që u arrestua nga Gjykata Speciale, qoftë në Hagë e kudoqoftë nga ajo zyrë ku u vodhën ato dokumente, qofshin kofidenciale apo jo. Edhe vjen dhe arreston në mënyrë spektakolare pa pasur aspak nevojë të bësh diçka të tillë, njerëz që ti ja ke lënë ato dokumente te dera. E ti nuk e arreston asnjë njeri që ka qenë përgjegjës t’i ruajë ato dokumente”, tha ai.

Jashari u bëri thirrje veteranëve të UÇK-së që të kenë kujdes nga liderët politikë të vendit.

Unë i kam bë ftesë dhe apel të gjithë veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare që të jenë të matur, të tregojnë kujdes, qetësi, maturi, që të mos biejnë pre e këtyre politikave të liderëve tanë politikë”, u shpreh Jashari. /Express/

Përfundon intervistimi i Agim Çekut nga Prokuroria në Hagë

Ka përfunduar intervistimi i ish-kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi avokati Artan Qerkini, i cili nuk tregoi nëse Çeku është mbrojtur në heshtje apo i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.

Çeku, ish-komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më herët gjatë këtij muaji kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se ai është ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sot, para gjykatës së Dhomave të Specializuara do të dalë për herë të parë ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku intervistohet sot në Hagë si i dyshuar

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, sot do të intervistohet në Hagë në cilësinë e të dyshuarit.

Mediat raportojnë se intervistimi planifikohet të fillojë nga ora 9:30.

Ndërkohë, Çeku kishte konfirmuar kohë më parë se nga Gjykata Speciale e kishte ftuar në cilësinë e të dyshuarit.

Albin Kurti: Në Washington u krijua “Jugosllavia e Katërt” nga Kryeministri Koti

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i ka lënë edhe një emër të ri Marrëveshjes së 4 Shtatorit të arritur në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E ka pagëzuar si marrëveshje që e krijon “Jugosllavinë e Katërt”,

Ai ka thënë se kjo Jugosllavi e re krijohet përmes zonës së Minishengenit përmes të cilës palës serbe do t’i mundësohet të ketë hegjemoni ekonomike mbi shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë.

“Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, në këtë Jugosllavi të Katërt, do të jenë vetëm konsumatorë të mallrave serbe e do të shpresojnë se do të marrin tarifa rrugore prej kamionëve të Serbisë. Sepse prodhuesit tanë do të mbeten të pambrojtur”, ka thënë Kurti, në një adresim para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Ai ka thënë se Avdullah Koti ka nënshkruar koncesionet më të mëdha që Serbisë i janë bërë prej Kosovës qysh prej pasluftës.

“Serbia fitoi edhe rehabilitimin e plotë para botës. Kishte dekada që një president i Serbisë nuk shkonte në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë ai.

Në këtë mbledhje virtuale të KP të VV’së,  Kurti e ka akuzuar LDK’në dhe PDK’në se po u frikësohen zgjedhjeve të reja në nivel të Kosovës por edhe nëpër komuna. Ka thënë se fakt për këtë është edhe mungesa e zgjedhjeve në Podujevë.

“Po frikësohen sepse ka ardhur koha e Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Aty ka folur edhe për zgjedhjet e brendshme partiake duke treguar se një pjesë e këtij procesi ka përfunduar.

“Në përgjithësi për një subjekt politik zgjedhjet e brendshme janë edhe festa më e madhe dhe edhe sfida më e madhe”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar modernizim të Vetëvendosjes edhe përmes zgjedhjeve të brendshme.

Kurti ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme lokale synojnë t’i udhëheqin së paku  15 komuna.

Në këtë adresim, lideri i VV’së ka akuzuar Kryeministri Hoti dhe Ministin Zemaj se kanë dështuar në menaxhimin e pandemisë.

“Rreziku i parë është pandemia. i kemi humbur 600 jetë për pak muaj”, ka thënë ai.

Me këtë rast, ai ka akuzuar edhe për prekjen e parave të Trustit Pensional.

Për Kryeministrin ka thënë se po bën punë të keqe edhe duke u përfshirë në zgjedhjet presidenciale në Amerikë.

“Avdullah Koti po e degradon pozitën ndërkombëtare dhe statusin e vendit tonë”, ka thënë ai. Express

Prokuroria në Hagë konfirmon ndalimin e Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar se të premten, më 25 shtator, ka arrestuar nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinajt, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në bazë të ligjit për këtë zyrë dhe për Dhomat e Specializuara “gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim”.

Nënkryetari i OLV të UÇK-së, Nasim Haradinaj u arrestua të premten, më 25 shtator, në lagjen Pejton të Prishtinës. Ai gjatë të premtes, në një prononcim për mediat tha e nuk e njeh Gjykatën Speciale (Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara).

Zyra e Prokurorit të Specializuar thotë se në arrestimit e Haradinajt EULEX-i dhe Policia e Kosovës ofruan mbështetje operative dhe logjistike .

Arrestimi i Hysni Gucatit

Arrestimi i Haradinajt, pason arrestimin e kreut të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili të premten u transferua në Hagë.

Gucati, siç njoftuan Dhomat e Specializuara, u arrestua nën dyshimin se ka kryer veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Në fletarrestin e Gucatit, Dhomat e Specializuara, apo siç njihen në Kosovë edhe si Gjykata Speciale, u tha se ai ka bërë të qasshme për gazetarët dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, të cilit i referohet edhe Ligji për Dhomat e Specializuara, kushdo që pa autorizim publikon informacione të klasifikuara ose çfarëdo proces zyrtar që është në zhvillim, e i cili, sipas ligjit nuk duhet të publikohet ose konsiderohet si sekret me një vendim të gjykatës apo të aturoritetit kompetent, mund të gjobitet apo të dënohet deri në 1 vit burgim.

Nëse publikohen informacione apo të dhëna personale të një personi i cili është në mbrojtje, personi që publikon këto të dhëna mund të dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim, varësisht nga pasojat që shkaktohen nga një veprim i tillë.

Bastisjet në OVL të UÇK-së

Të premten, për më shumë se 8 orë, zyrtarë të EULEX-it bastisën zyrat e OVL të UÇK-së.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Organizatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete, në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Më 24 shtator, Prokuroria e Specializuar arrestoi Salih Mustafën – një prej themeluesve të UÇK-së në zonën e Llapit – dhe bëri publike aktakuzën ndaj tij.

Mustafa akuzohet për “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

Paraqitja e parë para gjykatës për Mustafën është caktuar për të hënën, më 28 shtator. Kjo seancë do të jetë publike.

Çka është Gjykata Speciale?

Gjykata Speciale e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. rel

Gucati në Hagë për shkak të pengimit të drejtësisë

Luljeta Krasniqi – Veseli

Dhomat e Specializuara në Hagë konfirmuan se kundër kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit është lëshuar fletarrestim për vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhet në njoftimin e këtyre dhomave, që në Kosovë njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale.

Gucati u arrestua të premten në Prishtinë në objektin e OVL të UÇK-së.

Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar se Gucati tashmë është transferuar në objektin e paraburgimit të këtyre dhomave në Hagë.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tri konferenca për media më 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ai ka shpërndarë ose ka bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, thuhet në fletarrestin e lëshuar për Gucatin.

Ndërkaq, për paraqitjen e parë të Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake, Dhomat e Specializuara thonë se do të njoftojnë më vonë.

Më herët, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar arrestimin e Gucatit, në bazë të, siç u tha “një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Menjëherë pas arrestimit të Gucatit, avokati i OVL të UÇK-së, Tomë Gashi, tha se “në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai (Gucati) është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.

Përmes një njoftimi për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se Misioni Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit (EULEX) dhe Policia e Kosovës i dha mbështetje operative dhe logjistike Prokurorisë së Specializuar gjatë arrestimit të Gucatit.

Gucati u arrestua në zyrat e OVL të UÇK-së, ku gjatë ditës, zyrtarë të EULEX-it dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar bën bastisje për më shumë se 8 orë.

Faton Klinaku, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka bërë të ditur se nga zyrat janë marrë shtëpiza të kompjuterëve dhe incizimet e kamerave të ditëve të fundit. Ai ka bërë të ditur se janë kontrolluar dosjet e veteranëve të UÇK-së, por nuk janë marrë.

Po ashtu, gjatë së premtes, në një lagje të Prishtinës, nga zyrtarët e Prokurorisë së Specializuar dhe Policia e Kosovës u shoqërua edhe Nasim Haradinaj, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve.

Arrestimin e Nasim Haradinajt, megjithatë, nuk e ka konfirmuar prokuroria në Hagë.

Bastisjet nga EULEX-i në zyrat e OVL të UÇK-së, kishin nisur rreth orës 11. Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Gjatë bastisjes së Zyrave të OVL-së nga EULEX-i, para këtyre zyrave ishin mbledhur disa qytetarë në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Gucatit.

Arrestimi i Gucatit dhe Haradinajt pason arrestimin një ditë më parë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tij.

Më herët, Nasim Haradinaj, në një prononcim për media para zyrave të OVL-së, i kundërshtoi bastisjet e EULEX-it që janë bërë në zyrat e OVL të UÇK-së.

“Nuk e njohim këtë gjykatë (Gjykatën Speciale). Kjo është një ditë që troket në të gjitha dyert e qytetarëve të Kosovës. Tani, çka na bën të mendojmë? Na bën të mendojmë a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, a kemi Kushtetutë”, tha ai.

Shoqata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tri herë në javët e fundit, ka njoftuar se një person anonim ka dorëzuar tek ajo “mijëra dosje që përmbajnë emrat dhe adresat e dëshmitarëve”. Këto dokumente, sipas saj, janë nga Haga. Pas çdo dorëzimi, udhëheqësit e Shoqatës kanë mbajtur konferencë për media, ku gazetarëve u është lejuar t’i marrin ato dokumente. Pas çdo konference, dokumentet janë konfiskuar nga hetuesit në Hagë.

Përmbajtja e tyre është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.

Prokuroria e Specializuar: Dosjet e prezantuara nga OVL e UÇK-së “minojnë administrimin e drejtësisë”

Të martën, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë se disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Kjo zyrë, po ashtu, ka thënë se “është e angazhuar për të hetuar dhe ndjekur penalisht, me forcë, individë që kryejnë krime të tilla, që përfshijnë publikimin e identitetit të individëve që mund të thirren para gjykatës apo të ndonjë informacioni që mund të çojë në identifikimin e tyre”.

Thaçi: Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë

Pas bastisjeve në zyrat e Shoqatës së Veteranëve, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare”.

“Veteranët e UÇK-së janë vlera më sublime e rezistencës dhe lëvizjes sonë për liri e pavarësi. Asnjë grackë e ngrehur nga kushdo, nuk do ta vendosë Kosovën në anën e kundërt të drejtësisë”, tha Thaçi përmes një deklarate për media.

deklaratën e tij për media, presidenti Thaçi tha se “rrjedhja e dokumenteve e ka cenuar legjitimitetin e gjykatës në sytë e qytetarëve, ka dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës dhe të drejtat e të pandehurve potencialë”.

“Asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë. Prandaj, vlerësoj se nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa, integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohen”, tha Thaçi.

“Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e së vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe së drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Thaçi.

AAK dhe Nisma me kritika për bastisjet në OVL të UÇK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Nisma Socialdemokrate reaguan të premten, pas arrestimeve dhe bastisjeve të bëra në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Prishtinë.

“Nuk ka arsye për operacione e bastisje”, tha Haradinaj në një postim në Facebook.

“Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë, është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj tek organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që t’i respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ikë drejtësisë”, shkroi Haradinaj.

Nisma Socialdemokrate, në anën tjetër, shprehu, siç tha, mospajtimin e saj për mënyrën e trajtimit të udhëheqësve të OVL të UÇK-së.

“Që nga përfundimi i luftës, pjesëtarët e UÇK-së u janë përgjigjur sistemeve të drejtësisë pa asnjë hezitim, duke filluar nga gjykatat e UNMIK-ut [Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë], Hagës dhe ato të EULEX-it [Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë]. Prandaj, askush nuk ka asnjë arsye të ndryshojë mënyrën e sjelljes në raport me pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media të këtij subjeki politik.

Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Krejt çka dihet rreth dy arrestimeve nga hetuesit e Speciales

Dy figurat kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot janë vënë në pranga. Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, është arrestuar në mëngjes në zyrën e tij nga policë të EULEX’it, derisa nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, është arrestuar nga hetues të Speciales në hyrje të Televizionit 7, ku kishte qenë i ftuar për intervistë. Express u sjell detaje nga këto arrestime.

Gazeta Express

Selia e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së në lagjen Qafa u bastis mëngjesin e sotëm nga rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur. Këta policë qëndruan për disa orë brenda zyreve të veteranëve, derisa kur dolën morën me vete edhe kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin. Ai u nxorr jashtë i prangosur nga dhjetëra policë të EULEX’it.

Deri tash nuk dihet arsyeja pse Gucati është arrestuar dhe Tribunali Special akoma nuk ka lëshuar ndonjë njoftim. Express ka pyetur Prokurorinë e Hagës për arsyen e bastisjes dhe arrestimit të kreut të veteranëve, por nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të tekstit.

Ndaj Gucatit nuk ka pasur aktakuzë të ngritur nga Haga. Ai madje nuk ka qenë asnjëherë as i intervistuar nga prokurorët e Hagës.

Aludohet se arsyeja mund të jetë çështja e publikimit të dosjeve, që e ka bërë OVL-ja e UÇK-së.

Pas arrestimit të Gucatit, reagoi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka qenë komandant i UÇK-së dhe i gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.

Haradinaj tha se nuk është dashur të publikoheshin dosjet e Gjykatës Speciale dhe nuk duhet të jepet imazhi sikur Kosova po e pengon drejtësinë.

“E ritheksoj qëndrimin tim, se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do ta dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit. Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Por, Gucati nuk është i vetmi që u arrestua sot. Nën pranga u vu edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nazim Haradinaj.

Haradinaj është arrestuar derisa ishte duke ardhur në zyrat e televizionit T7 për intervistë.

Ai nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, tha Haradinaj për Express.

Për arrestimin e tij, ai e ka fajësuar gazetarin Vehbi Kajtazi.

Arrestimin e tij e kanë përcjellë nga afër qytetarë të shumtë, të cilët e kanë përcjellë me duartrokitje.

Ndryshe, java e fundit ka qenë përplot zhvillime në raport me Tribunalin. Shoqata e Veteranëve të Luftës ka vazhduar me publikimin e disa dosjeve që kanë rrjedhur prej Tribunalit. Një person i paidentifikuar ka dërguar në seli të Shoqatës mijëra faqe të dosjeve.

Dosjet e Tribunalit Special konsiderohen konfidenciale dhe madje me ligj dënohet secili zbulim i personave që në çfarëdo forme janë pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Hagës. Pas secilës herë që OVL-ja publikonte dosje, policë të EULEX-it dhe hetues të Speciales bastisnin zyrat e tyre dhe konfiskonin dosjet. Sot, policia mori edhe Gucatin me vete.

Nga dokumentet që publikoi OVL-ja, e që nuk dihet nëse janë origjinale, u zbuluan emra të dëshmitarëve të mbrojtur, emra të të akuzuarve, llojet e akuzave e shumëçka tjetër. Disa prej tyre u publikuan nga një medium në Shqipëri.

Tribunali Special ka kryer dje arrestimin e parë. Ish-eprori i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, Salih Mustafa, është arrestuar dhe transferuar për në Hagë. Prokuroria Speciale ka lëshuar njoftim se arrestimi i tij u bë në bazë të aktakuzës së ngritur./Gazeta Express

Autoritetet shoqërojnë edhe Nasim Haradinajn

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, tha se kjo organizatë nuk e njeh Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Haradinaj foli për gazetarët derisa u shoqërua nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, bashkë me Policinë e Kosovës, në lagjen Pejton të Prishtinës.

Pak orë më herët, pjesëtarë të Misionit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë (EULEX) arrestuan edhe Hysni Gucatin, kryetarin e OVL-së së UÇK-së.

Ende nuk dihen arsyet e shoqërimit të Haradinajt, e as të arrestimit të Gucatit.

“Nuk e njohim këtë gjykatë (Gjykatën Speciale). Kjo është një ditë që troket në të gjitha dyert e qytetarëve të Kosovës. Tani, çka na bën të mendojmë? Na bën të mendojmë a kemi shtet, a kemi organe shtetërore, a kemi parlament, a kemi Kushtetutë”, tha Haradinaj.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. rel

Protestojnë veteranët pas arrestimit të Hysni Gucatit, intervenon policia

Veteranët e UÇK-së janë duke protestuar pas arrestimit nga EULEX-it të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, raporton Gazeta Express.

Ata ka intervenuar për t’i shpërndarë Policia e Kosovës.

Veteranët e kanë konsideruar të padrejtë vendimin për arrestimin e Gucatit.

Për në orën 15:00 ndërkaq është paralajmëruar edhe një mbledhje në zyrat e veteranëve. /Express/

Kronika orë pas ore: EULEX-i bastis OVL-UÇK-në

Policia e EULEX-it, në mëngjesin e sotëm, ka bastisur zyrat Organizatës së Veteranëve të UÇK-së. Tribunali Special nga dje ka nisur arrestimet e para të pjesëtarëve të UÇK-së, që akuzohen për krime lufte. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati është nxjerrë i prangosur nga zyrat. Nuk dihet arsyeja e arrestimit. Express ju sjell të gjitha zhvillimet nga zyrat e OVL-UÇK-së.


15:11 – Revoltim e sharje para zyrës së veteranëve, protestuesit sulmojnë Policinë e EULEX-it

Policia e EULEX-it ka zhvilluar sot një aksion brenda zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky aksion ka rezultuar me arrestimin e kryetarit të OVL-së, Hysni Gucatit.

Disa protestues që ndodhen para zyrave të kësaj organizate nuk e kanë pritur mirë arrestimin e Gucatit.

Ata kanë filluar t’i ofendojnë pjesëtarët e EULEX-it, me ç’rast kanë hedhur edhe mjete të forta në drejtim të tyre.

13:31 Tensionohet situata te zyrat e OVL-UÇK-së, pas arrestimit të Hysni Gucatit

Veteranët e UÇK-së që janë mbledhur para zyrave të OVL-së janë duke protestuar pas nxjerrjes së kryetarit të tyre, Hyseni Gucati, të prangosur nga policia e EULEX-it raporton Gazeta Express

Aty është parë një grumbull i veteranëve teksa kanë fishkëllyen dhe bërtitur në drejtim të zyrtarëve policorë, që e kanë shoqëruar Gucatin për në veturën e EULEX-it disa minuta më parë.


13:23 – Hysni Gucati nxirret i prangosur nga zyrat e OVL-UÇK’së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK’së është arrestuar brenda zyrave të organizatës.

Gucati është nxjerrë i prangosur nga zyra e tij, prej forcave të shumta të policisë së Eulexit.

Nuk dihet akoma arsyeja e arrestimit të kreut të veteranëve, veçse Tribunali Special ka nisur nga dje arrestimet e para për të akuzuarit për krime lufte.

Megjithatë, është akoma e paqartë arsyeja pse u arrestua Gucati dhe nëse bastisja e sotme ka të bëjë me dosjet që ka publikuar organizata e veteranëve.


12:34 – Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, është arrestuar nga EULEX-i

Kështu ka deklaruar për Gazetën Express nënkryetari i veteranëve, Nasim Haradinaj.

Ai ka bërë të ditur se Gucati do të dërgohet sot për në Hagë, derisa momentalisht është ende në zyrat e veteranëve.

Kjo ishte edhe arsyeja e kryerjes së bastisjes së sotme të EULEX-it. /Express/


12:03 – Nasim Haradinaj e lidh bastisjen e EULEX-it me gazetarin Vehbi Kajtazi

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve, Nasim Haradinaj, aksionin e sotëm të EULEX-it e ka lidhur me gazetarin Vehbi Kajtazi.

Në një prononcim për Gazetën Express, Haradinaj tha se nëse e gjithë kjo është vetëm një kontroll, atëherë prapa këtij aksioni ka qenë Vehbi Kajtazi.

“Përshpejtimi i kësaj, unë mendoj se ka qenë Vehbia. Vehbia është njëri ndër bashkëpunëtorët. Pasi ai dje më tha se po të isha unë prokuror, ti do të ishe atje”, tha Haradinaj.

Ai bëri të ditur se nuk ka informacione se çka po ndodh brenda, pasi telefonat janë mbyllur dhe nuk po lejohen telefonatat.


11:50 – Tomë Gashi thotë se nuk po e kërkojnë askënd

Pavarësisht që forca të shumta të EULEX-it po shihen në zyrat e veteranëve, avokati Tomë Gashi u paraqit në zyrat e OVL-UÇK-së, duke thënë se beson që EULEX-i nuk po e kërkon askënd.

“Unë besoj që nuk po e kërkojnë askënd, atë që e kërkojnë e dinë se ku me gjetë”, tha Gashi për media.

Një ditë pas arrestimit dhe të konfirmimit të aktakuzës për Sali Mustafën, zyrtarët e EULEX-it kanë zbarkuar sot në zyrat e veteranëve të UÇK-së.

Sipas informacioneve të raportuara në media, aty po zhvillohet një aksion, me ç’rast pritet të ketë edhe arrestime.


11: 47 – Policia e EULEX-it nxjerr jashtë disa anëtarë të OVL-UÇK-së

Policia e EULEX-it ka bastisur zyrat e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së.

Dhjetëra trupa të Policisë e kanë rrethuar objektin, ndërsa para pak çasteve janë parë duke dalë nga zyrat disa prej zyrtarëve që punojnë në këtë organizatë.

Nuk dihet nëse do të ketë arrestime nga Tribunali Special, pasi Prokuroria në Hagë ka njoftuar se dje ka arrestuar të dyshuarin e parë për krime lufte.


11:37 Policia e Kosovës po e asiston EULEX-in në aksionin te zyrat e veteranëve

Policia e Kosovës është duke asistuar në aksionin e sotëm të EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së, raporton Gazeta Express.

Forcat të shumta të Policisë së Kosovës janë parë sot afër zyrave të veteranëve, ku është duke u mbajtur një aksion i EULEX-it.

Ky aksion i EULEX-it vjen një ditë pas arrestimit dhe konfirmimit të aktakuzës për Salih Mustafën.


11:22 – Lajmi i fundit: EULEX-i zbarkon në zyrat e veteranëve, raportohet për arrestime

Një ditë pas arrestimit dhe të konfirmimit të aktakuzës për Sali Mustafën, zyrtarët e EULEX-it kanë zbarkuar sot në zyrat e veteranëve të UÇK-së.

Sipas informacioneve të raportuara në media, aty po zhvillohet një aksion, me ç’rast pritet të ketë edhe arrestime.

Policia e EULEX-it nxjerr jashtë disa anëtarë të OVL-UÇK-së

Gazeta Express sot ka raportuar se arrestimi i djeshëm i Salih Mustafës në ditët në vijim mund të shoqërohet edhe me arrestime të tjera.

Kosovë: Arrestohet kryetari i Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK-së

Njësitë e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, arrestuan të premten kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati.

Avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, në një postim në rrjetet sociale tha se zoti Gucati do të dërgohet në Hagë.

Ende nuk dihen shkaqet e arrestimit të zotit Gucati, organizata e të cilit në tri raste gjatë këtij muaji tha se ka marrë nga persona të panjohur mijëra dosje të Gjykatës së Posaçme, që dëshmojnë për bashkëpunim të saj me autoritetet e Beogradit dhe për siç thuhet, karakterin e saj të njëanshëm.

Të martën kjo Organizatë tha se një person i panjohur ka lënë dokumente, që pretendohet se përmbajnë aktakuza të përgatitura ndaj udhëheqësve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, që trajton pretendimet për krime lufte në Kosovë, tha të martën se është e angazhuar që të hetojë dhe të ndjekë ata që publikojnë identitetin e individëve që mund të thirren para Gjykatës së Posaçme.

Arrestimi i zotit Gucati u krye një ditë pasi që Prokuroria e Posaçme arrestoi ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sali Mustafa, në bazë të akuzës së konfirmuar më pretendimet për përfshirje në krime lufte.

Zoti Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ky është arrestimi i parë i kryer nga Gjykata e Posaçme e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Gjykata e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje që nga fillimi i vitit 2019 ndërsa më 24 qershor prokuroria publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Hetimet, sikurse edhe ngritja e gjykatës dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Organizata e Veteranëve u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit të Kosovës që të ndryshojnë ligjin për themelimin e Gjykatës dhe për t’i siguruar asaj një karakter gjithëpërfshirës duke ndjekur edhe krimet e kryera nga forcat serbe. zëri i amerikës

Tomë Gashi thotë se mund të publikohen komunikimet e Speciales me institucione serbe

Avokati Tomë Gashi ka bërë thirrje që të mos publikohen kurrsesi dosjet e Speciales që do të komprometonin emrat e dëshmitarëve. Gjithsesi ai thotë se diçka tjetër nga ato dosje mund të publikohet.

Duke folur në emisionin dPT te Fidani në T7 ai ka thënë që të publikohen nëse është e mundur komunikimet e Speciales me institucionet serbe.

“Nuk besoj që është krim publikimi i komunikimit të institucioneve të Serbisë me ato të Gjykatës Speciale”, tha ai.

“Apeloj që të mos publikohet asesi emri i dëshmitarëve apo emra tjerë. Ne kemi harxhuar shumë miliona që ishin fonde të BE’së. Në vend që të kishim ndërtuar shkolla, objekte e institucione e tjera gjëra që duhej në ndërtim të shtetit tani duhet të harxhojmë nëpër gjykata ndërkombëtare. Jemi ardhur në një situatë kur tani SHBA përmes ndihmës tonë ja kanë hapur rrugës Serbisë. Për herë të parë prej vitit 1999 Serbia për herë të parë shkon në Shtëpinë e Bardhë”, përfundoi ai. /Express/

Familja e aktivistit të vrarë të LDK-së e quan lajm të rëndësishëm arrestimin e sotëm nga Specialja

Një profil në rrjetin social ‘Facebook’ me emrin e Haki Imerit që besohet se menaxhohet nga familjarë të të ndjerit, ka reaguar pas arrestimit të Salih Mustafës nga Gjykata Speciale.

Për familjen Imeri arrestimi i Salih Mustafës është i rëndësishëm për drejtësinë dhe për viktimat dhe thotë se zhvillimi i sotëm tregon seriozitetin e Prokurorit Jack Smith, ndërkohë ka paralajmëruar edhe zhvillime të tjera të kësaj natyre, shkruan Express.

“Arrestimi i Sali Mustafes është një lajm i rëndësishëm për drejtësinë te gjitha viktimat e tij…Kjo e tregon seriozitetin e Prokurorit Jack Smith dhe ekipës se tij. Do te ketë zhvillime tjera po aq te rëndësishme te kësaj natyre. Të gjithë ata epror t Sali Mustafes dhe te gjithë ata vartës te tij do ta kenë fatin e njëjtë. Drejtësia nuk harron , ata  qe shantazh ojnë dëshmitarët ata sulmojnë direkt Gjykatën Speciale, sulmojnë drejtësinë sulmojnë viktimën sulmojnë vlerat Euroatlantike ..”, thuhet në këtë reagim.

Ky profil në ‘Facebook’ ka potencuar se Salih Mustafa ka qenë shef i SHIK-ut për Prishtinë, organizatë për të cilën thotë se ka dalë nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe se duhet të jetë përgjegjëse për dhunën politike në Kosovë.

“Është me rëndësi te ceket se Sali Mustafa ishte shefi i Shikut te Kadri Veselit për Prishtine, organizate kjo kriminale e e vlerësuar nga mekanizma profesional te drejtësisë…Pra do te vërtetohet se Shiku pjelle e QPK -se duhet te jete përgjegjësi kyç për tere dhunën politike ne Kosove…”, përfundon reagimi.

Haki Imeri ishte aktivist i LDK-së dhe ishte vrarë në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 1999 në fshatin e tij. Presidenti Thaçi ndërkohë në vitin 2017 e kishte dekoruar me urdhrin “Hero i Kosovës, Hero i Kombit”. /Express/

“KOSOVA” në SHBA vazhdon betejen me mashtrimet dhe gënjeshtrat e historigrafisë serbe

Botuesi amerikan “Jalifat Publishing” dhe drejtuesi i saj Ramiz Tafilaj, ia dolën që këtë punë ta kryejnë brenda dy vitesh në saje të një përkushtimi të madh, veçmas të përkthyesve Avni Spahiu, Geotar Mjeku dhe Faton Bislimi si dhe disa lektorëve amerikanë që u angazhuan në këtë veprimtari të parën e llojit dhe përmasave të tillë.
—–
Nga viti 2015, ” KOSOVA” nga SHBA-ja, më konkretisht nga Houstoni i Teksasit, aty ku ka qendrën botuesi “Jalifat Publishing”, filloi “betejën” me mashtrimet dhe gënjeshtrat e historiografisë serbe rreth shqiptarëve “ardhacakë” dhe “Kosovës djep mesjetar i shtetit serb” si dhe kishës ortodokse serbe nga mesjeta prej nga shqiptarët janë përjashtuar nga trashëgimia e krishterë, ndonëse e kanë pranuar ndër të parët në shekullin katër kur sllavët ishin në Karpate.
Por, “beteja” e filluar në Kosovë, në vitin 2012 me rastin e botimit në shqip të “Kosovës” në tri vëllime, që përfundoi para dy vitesh me kompletimin në tetë vëllime, do të ishte e pamjafueshme pa përkthimin në anglisht dhe shpërndarjen e saj nëpër institucionet shkencore, bibliotekat dhe universitet anembanë botës.
Botuesi amerikan “Jalifat Publishing” dhe drejtuesi i saj Ramiz Tafilaj, ia dolën që këtë punë ta kryejnë brenda dy vitesh në saje të një përkushtimi të madh, veçmas të përkthyesve Avni Spahiu, Geotar Mjeku dhe Faton Bislimi si dhe disa lektorëve amerikanë që u angazhuan në këtë veprimtari të parën e llojit dhe përmasave të tillë.
Krahas kësaj, botuesi amerikan, bëri punë të madhe në shpërndarje e librit ( mbi gjashtë mijë kpmplete) në të gjitha institucionet shkencore amerikane si dhe bibliotekat univetsitare. Kurora e kësaj punë u arrit me futjen e librit në Bibliotekën e Kongresit Amerikan si dhe në radhën e teksteve të rekomanduara si literaturë për studimin e historiografisë dë Europës juglindore, ku kanë munguar autorët shqiptarë, ndërkohë që historiografua serbe ka plasuar mbi njëqind libra.
Sidoqoftë, “Kosova” në tri vëllime, ndonëse e vetmuar, ia ka dalë që të trazojë mashtrimet e historiografisë serbe, me ç’rast, si joshkencor, deri më tash është dekonspiruar libri “Zakonik Stefana Dusana – cara srpskog” si dhe gjashtë vëllimet e Akademisë Jugosllave të Shkencave “Vizantinski izvori za istoriju naroda Jugoslavije”, ku sistematikisht dhe në mënurë brutale bëhet konvertimi i Tribalëve në serbë.
Natyrisht se “beteja” me mashtrimet e historiografisë serbe do të vazhdohet me botimin e librit voluminoz “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” të përkthyet nga Avni Spahiu si dhe me botimin e librit të sapobotuar “Dardania – antika, mesjeta”, që këto ditë shqetësoi aq shumë historianët serbë dhe me të drejtë madje nga shkaku i vetëm se këto libra në anglisht, me argumente të shumta nga burime bizantine dhe të tjera, do të dekonspirojnë edhe më tutje mashtrimet e historianëve serbë, që kanë pi ujë ngaqë nuk janë kontestuat nga askush, ndërkohë që historiografia institucionale në Tiranë dhe Prishtinë jo vetëm që i ka pranuar, por edhe i ka shpërndarë deri te tekstet shkollore dhe po vazhdon këtë avaz!

Gjykata Speciale emëron gjashtë gjyqtarë të rinj

Gjykata Speciale për Krime Lufte në Kosovë

Dhomat e Specializuara të Kosovës, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, emëruan të martën gjashtë gjyqtarë të rinj për këtë institucion.

Në një njoftim të lëshuar nga Njësia e Informimit dhe Komunikimit Publik, pranë Gjykatës Speciale, thuhet se ”Autoriteti Emërues, ambasadori Lars-Gunnar Wigemark, pas marrjes së rekomandimeve nga paneli përzgjedhës i pavarur, ka emëruar gjashtë gjykatës të tjerë në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë”.

Gjykatësit: z. Gilbert Bitti (Francë), z. Daniel Fransen (Belgjikë), z. Fergal M. Gaynor (Irlandë), znj. Romina Incutti (Itali), znj. Nina H.B. Jorgensen (Norvegji), dhe z. Roumen H. Nenkov (Bullgari) u shtohen 17 gjykatësve që aktualisht janë në Regjistër.

Autoriteti Emërues gjithashtu emëroi gjykatësin Antonio Balsamo dhe gjykatësin Nenkov si gjykatës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese dhe znj. Incutti e emëroi gjykatëse rezervë në Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Me kërkesën e tij, gjykatësi Roland Dekkers nuk është më gjykatës i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, por do të jetë në Regjistër, gjë që i mundëson të caktohet në Dhoma të tjera me përjashtim të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, sqaron njoftimi.

Gjykata Speciale merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selia e Gjykatës Speciale është në Hagë.

Ajo punon me ligjet e Kosovës, por gjyqtarët dhe prokurorët e saj janë ndërkombëtarë.

Ekspertët kanë thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk konsiderohet mjaftueshëm i pavarur për t’i hetuar krimet e dyshuara të luftës dhe se ka dyshime se mund të ketë kërcënime ndaj dëshmitarëve, andaj selia e Gjykatës është vendosur jashtë Kosovës.

Deri tani, ajo ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar. rel

Arrijnë në Kosovë 25 ekspertë gjermanë për ofrim të ndihmës rreth COVID-19

Prishtinë

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka arritur të martën në mëngjes një grup ekspertësh shëndetësorë të COVID-19 nga Gjermania të cilët do të qëndrojnë për dy javë me qëllim ofrimin e ndihmës lidhur me punën e mjekëve që merren me rastet me koronavirus, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ceremonisë së pritjes së misionit me ekspertët nga “Joint Robert Koch Institute” nga Gjermania, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se ardhja e këtij ekipi ka për qellim “forcimin e kapaciteteve në Kosovë në luftën kundër koronavirusit”.

“IKSHPK dhe Instituti Robert Koch në Berlin të Gjermanisë, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që nga marsi i vitit 2018. Ekspertët e Institutit Robert Koch, duke përfshirë specialistët e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Qendra e Informacionit për Mbrojtjen e Shëndetit Ndërkombëtar, Njësia e Shëndetit Publik dhe mbështetja e Laboratorit Publik të Robert Koch, përbëjnë delegacionin e këtij instituti për të këshilluar në fushat e mbështetjes, mbikëqyrjes, epidemiologjisë, komunikimit të rrezikut dhe diagnostikimit laboratorik”, tha Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ardhja e këtij grupi ekspertësh është një ndihmë shtesë për ta kaluar pandeminë.

“Këta njerëz që po i shini sot dhe ushtarakët e kontingjentit nga Italia me të cilët sapo biseduam dhe të cilët kanë ardhur që t’i ndihmojnë qytetarët e Kosovës, shpresoj që do të jenë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë ne që të respektojmë masat, atë të cilën po e proklamojmë dhe që është më e lehta. Ta mbajmë distancën, ta mbajmë higjienën dhe t’i mbajmë maskat”, tha Zemaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se ekipi është në përbërje prej 25 ekspertësh gjermanë, teksa u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin konkret midis institucioneve të shëndetësisë kosovare dhe gjermane.

Ekipi i ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë nga instituti gjerman i shëndetësisë do të qëndrojë në Kosovë për dy javë dhe do të ofrojë asistencë përkitazi me nevojat për luftimin e pandemisë COVID-19. Misioni i ekspertëve do të udhëhiqet nga doktor Andreas Jansen.

Sot gjatë ditës, kryeministri Avdullah Hoti duke folur rreth situatës epidemiologjike në vend, tha se “Kosova e ka vënë në kontroll pandeminë COVID-19”.

Hoti gjatë një vizite në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) duke diskutuar me drejtorët e Klinikave është shprehur optimist se vendi është në rrugën e duhur për të menaxhuar me sukses edhe mundësinë e një vale të re të koronavirusit.

Vjosa Osmani i konsideron artificiale përplasjet ndërmjet Thaçit dhe Mustafës rreth Asociacionit

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, i ka quajtur artificiale përplasjet e presidentit Hashim Thaçi me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“E konsideroj si një përplasje artificiale sepse si në vitin 2013 kur është nënshkruar marrëveshja e cila është ratifikuar në Kuvend. Si në vitin 2015 kur është nënshkruar dokumenti për zbatimin e parimeve të asociacionit, në të dyja rastet kanë qenë bashkë. E kanë përkrahur njëra tjetrën këto dy palë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka konfirmuar se seanca e radhës e Kuvendit do të mbahet të premten.

“Do të kemi seancë këtë të premte. Kemi marrë një kërkesë nga GP i LVV-së që kryeministri të ftohet për raportim për 100 ditëshin e qeverisë. Kur të caktohet data do të kemi një seancë. Proceduralisht jemi të detyruar që për çdo pikë që s’ka pasur kuorum, të premten do të vendosen në rend dite dy projektligjet, ai për rimëkëmbjen ekonomike dhe vlerat e UÇK-së”, ka thënë Osmani.

Kosova me asnjë viktimë nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Klinika Infektive në Prishtinë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) njoftoi se në 24 orët e fundit nuk ka konfirmuar asnjë rast vdekjeje nga sëmundja COVID-19, të cilën e shkakton koronavirusi.

IKSHPK-ja bëri të ditur se ka konfirmuar 66 raste të reja pozitive nga testimi i 503 mostrave.

Në njoftim po ashtu thuhet se edhe 141 pacientë të tjerë janë shëruar nga koronavirusi.

“Gjatë dy javëve të fundit kemi rënie të dukshme të numrit të rasteve: 44%”, thuhet në njoftim.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 15,208.

Prej tyre, 615 pacientë kanë vdekur dhe 12,815 janë shëruar.

Numri i rasteve aktive aktualisht është 1,778.

Grenell: Nuk duam fjalë boshe – do të zbatojmë marrëveshjen e 4 shtatorit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.

Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Grenell mbërriti të hënën në mbrëmje në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, pas ditë pas dakordimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin ekonomik.

Zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

Më pas ambasadori Grenell tha se kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.

Presidenti Trump që nga fillimi më ka thënë që të vijë të gjejë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbështetet ne krijimin e vendeve të punës dhe jo diskutime politike. Simbolizmat janë të rëndësishëm, por nuk mund ta paguajnë qiranë tuaj, nuk mund ta ushqejnë familjen tuaj dhe nuk japin shumë shpresë”, tha zoti Grenell, duke nënvizuar se presidenti Trump “është vërtet krenar për këtë marrëveshje historike dhe të mos gabohemi ne nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump…nëse nuk do të thoshte presidenti Trump që të bëjmë diçka ndryshe për rajonin, të shkojmë të bëjmë diçka ndryshe për qytetarët. Pasi që marrëveshja u nënshkrua, përsëri presidenti Trump na tha në Zyrën Ovale që të vijmë ta zbatojmë. Nuk janë vetëm fjalë, ai është president i veprimeve”, tha ambasadori Grenell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se prania e delegacionit amerikan “tregon vendosmërinë edhe seriozitetin e presidentit Trump, të administratës së tij, të ambasadorit, të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plotë të drejtë, marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë, të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes, e them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje, pra është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe rajon edhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”.

Ai tha se marrëveshja do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin në një regjion më të integruar në aspektin të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.

Zoti Boehler, tha ndërkaq se deklarata e nënshkruar sonte është zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. “Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë, kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë dhe këtu përfshihet, autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Po ashtu kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e vogla dhe të mesme”, tha ai.

Analisti Ilir Ibrahimi thotë për Zërin e Amerikës se vizita e zyrtarëve amerikanë tregon përkushtimin e administratës së presidentit Trump për të jetësuar atë dakordim.

“Kjo duhet përshëndetur, ende ka pakënaqësi se çfarë marrëveshje do të nënshkruhet sot mirëpo nëse i shohim ato që janë marrë përsipër nga pala kosovare në Washington shihet se do të ketë investime në infrastrukturë kryesisht, të cilat do të mundësojnë një zhvillim më të madh ekonomik e cila do ta afronte rajonin më tepër dhe që do të çonte edhe deri te ulja e mosmarrëveshjeve ndërmjet popujve në rajon e sidomos në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Zoti Ibrahimi thotë se synimi përfundimtar i administratës amerikane mbetet një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e dime që presidenti Trump ka dërguar dy letra ku si rezultat i marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë ai e sheh njohjen e ndërsjellë, kjo është edhe kërkesa që e ka pala kosovare në çdo takim publikisht po besoj edhe privatisht në takime. Unë besoj që kjo qasje që ka marr administrata do të çojë atje. Nëse rajoni ka një prosperitet ekonomik, nëse ka infrastrukturë që do të bëj të mundshme lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe ku do të shihet një prosperitet për të ardhmen e dy popujve atëherë nuk e shoh të pamundur që edhe këto mosmarrëveshje politike të tejkalohen”, tha zoti Ibrahimi.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë se çdo investim në infrastrukturë është i mirëseardhur sepse e lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave. Mirëpo ai thotë se problemet kryesore mbeten ato të barrierave jotarifore.

“Paralelisht me ndërtimin e rrugës duhet të zgjidhen edhe këto probleme sepse nuk ka logjikë ne të investojmë miliarda në një rrugë ku qytetarët apo bizneset hezitojnë me shfrytëzu atë rrugë për shkak të politikës së shtetit serb është e paparashikueshme ndaj Kosovës”, tha ai.

Zoti Panxha thotë se një mundësi e mirë për qasje në financa për prodhuesit e Kosovës do të jetë edhe përfshirja e Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar në rajon.

“Kompanitë prodhuese kanë nevojë për qasje në financa. Kushtet se si do t’i financojnë kompanitë tona ende janë në fazën fillestare dhe nuk e dimë saktësisht se cila do të jetë qasja e tyre por ardhja e DFC në Kosovë është lajm i mirë, unë besoj që do të rritet investimi i kësaj organizate amerikane si në energji, në prodhim dhe në sektorë të cilat ata i kanë definu. Sa shpejt do të ndodh kjo nuk e kemi ende të qartë se kur do të operacionalizohet besoj që pas takimit të sodit shumë përgjigje do t’i kuptojmë”, tha zoti Panxha.

Korporata Ndërkombëtare e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar dhe Banka për Eksport-Import, nënshkruan javën e kaluar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, për të ndihmuar financimin e Autostradës së Paqes, ndërmjet të dyja vendeve. zëri i amerikës

SHBA dhe Kosova zotohen për zbatim të shpejtë të marrëveshjes së Uashingtonit

Shkumbin Ahmetxhekaj

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës mirëpresin “përfundimin e shpejtë të një marrëveshjeje të ee për nxitjen e investimeve Kosovë-SHBA”.

Deklarata u nënshkrua në Qeverinë e Kosovës në praninë e presidentit Hashim Thaçi, dhe të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell.

“Marrëveshja që kemi nënshkruar sot ka qenë zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë. Kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë. Aty përfshihet Autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit. Po ashtu, mbështetje direkte për bizneset e vogla dhe të mesme”, sqaroi Boehler në një konferencë për media në Prishtinë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, konfirmoi se ministrat e kabinetit qeveritar do të formojnë ekipe të veçanta, të cilat do të dakordohen me ekipet e SHBA-së për zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit.

“Ky është një momentum i ri që do të sjellë zhvillim ekonomik, jo vetëm për Kosovën por për tërë rajonin. Do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe shpresojmë të arrijmë së shpejti edhe marrëveshjen politike”, deklaroi Hoti, duke shtuar se nuk e di se kur mund të arrihet kjo e fundit. Hoti u shpreh i bindur se me këto projekte do të hapen mijëra vende të reja pune.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje shënon nisjen në praktikë të zbatimit të asaj çfarë u nënshkrua në më pak se tri javë më parë nga liderët e Kosovës dhe Serbisë me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për normalizim ekonomik. Delegacioni 14 anëtarësh i administratës amerikane u udhëhoq nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC).

Boehler së bashku me udhëheqësen e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, më 15 shtator kanë nënshkruar letrat e interesit me Kosovën dhe Serbinë, përmes së cilave do të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes.

DFC pritet që bashkë me Bankën amerikane për Eksport-Import të ndihmojnë në financimin e Autostradës së Paqes, që do të lidhë Nishin me Prishtinën.

Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, është arritur pajtueshmëri që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Korporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar Autostradën e Paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së.

Të hënën në mbrëmje, delegacioni amerikan niset për në kryeqytetin serb, Beograd, ku të martën pritet të hapë zyrën e saj DFC-ja amerikane.

Vetëvendosje reagon për deklaratën e Trumpit: Me këtë qasje rehabilitohen kriminelët e luftës, s’po vendoset paqe

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj deklaratës së Trumpit ditën e djeshme në Karolinë e Veriut kur tha se SHBA ka ndaluar vrasjet masive Kosovë- Serbi që i kanë kryer njëra-tjetrës për vite me radhë.

Sipas LVV, me këtë qasje të SHBA rehabilitohen kriminelët e luftës së palës serbe, dhe nuk vendoset paqja por zgjatet konflikti i ngrirë.

Në reagimin zyrtar, thuhet se nëse shkak në luftën e Kosovës ka qenë konflikti etnik atëhere NATO s’kishte për të ndërhyrë dhe Millosheviç s’do provohej përgjegjës nga vetë SHBA, NATO e OKB si dhe vendet e fuqishme botërore.

Duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur aspak mirë deklaratën e djeshme të Trump, që e përdori në Karolinën e Veriut gjatë fushatës elektorale si një sukses i Shtëpisë së Bardhë.

REAGIMI NGA LËVIZJA VETËVENDOSJE

Dje dëgjuam presidentin e ShBA-ve të flasë në një tubim elektoral për “ndalje të vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, që paskan bërë krime të tilla kundër njëra-tjetrës, “për shekuj me radhë”.

Besimi se lufta e Kosovës e ka themelin te urrejtjet e lashta etnike, e te mospërputhja esenciale mes popullit serb e shqiptar, është besim i gabueshëm, i cili injoron rolin kryesor të Milosheviqit dhe regjimit të tij në shkaktimin e luftës. Po ashtu, ky besim anashkalon faktin se lufta nuk u urdhërua e nuk u organizua “prej qytetarëve”, por prej ushtrive e policive, me hierarki e përgjegjësi të qartë komanduese.

Këtë temë e shtjellon historiani Noel Malcolm, “Kosova – Një histori e shkurtër”, i cili tash e dy dekada është bërë lektyrë për ushtarakët e KFOR-it, pra edhe ata amerikanë, të stacionuar në Kosovë, dhe mendojmë se duhet të lexohet edhe prej diplomatëve e këshilltarëve të presidentit që merren me çështjen e Kosovës e atë të Serbisë. Nëse lufta në Kosovë do të kishte qenë e karakterit etnik, pra dallimi etnik na paska shkaktuar konfliktin, atëherë kurrë nuk do të intervenonte NATO dhe Milosheviqi nuk do të mund të konsiderohej përgjegjës prej vetë ShBA-ve, NATO-s, OKB-së, e vendeve kryesore demokratike të botës. E vërteta është që prapa krimeve e masakrave qëndronte një aparat shtetëror gjenocidal (i cili më herët kishte sulmuar në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë), kurse në anën tjetër populli shqiptar i pambrojtur në Kosovë, që u vetëmbrojt. NATO nuk mund të qëndronte duarkryq teksa Srebrenica po përsëritej në Kosovë.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Serbia ka ushtrinë më të armatosur dhe buxhetin më të madh ushtarak në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe blen armë prej Perëndimit, por ç’është më e keqja, vazhdimisht blen prej Rusisë, e së fundi u bë vendi i parë evropian që blen sisteme armatimi prej Kinës. Ndërsa Kosova, e cila ka partner të vetëm gjeopolitik perëndimin, ShBA e NATO, ka një ushtri minimale, nuk ka as armatim të rëndë e as buxhet të mjaftueshëm. Si mund ta rrezikojë Kosova e varfër dhe e çarmatosur Serbinë? Është Serbia ajo që ka pretendime në Kosovë, dhe armatimi i saj ofensiv nuk ka për synim vendet e largëta të botës, por pikërisht vendet fqinje e në radhë të parë Kosovën.

Me këtë qasje rehabilituese të kriminelëve të luftës, nuk po vendoset paqja mes Kosovës e Serbisë, por po zgjatet konflikti i ngrirë. Paqja vendoset kur dënohen e çarmatosen fajtorët e kur ShBA mbështet drejtësinë ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës, siç ka bërë gjithnjë. Paqja vendoset kur Serbia e njeh Kosovën e pavarur dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj. Jo kur rehabilitohen ish bashkëpunëtorët e Milosheviqit që bënë agresion e kryen gjenocid. bw

Kolonel Ahmet Alishani nderohet me Çmimin “Ahmet Krasniqi”

 

Në të 18-ten ditë të shtatorit 2020, në Prishtinë, në mjedise të hotel “Grand”, kolonel Ahmet Alishani, u nderua me çmimin e lartë “Ahmet Krasniqi, me motivacionin: “ Për kontribute të larta për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, të dëshmuara gjatë jetës së tij ushtarake e civile, veçanarisht në strukturat e FARK-ut me ministër të Mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqin dhe me shkrime studimore e publicistike në media”.

Drejtori i Gazeta e Alpeve per Gjermani Hilmi GASHI duke ia dorëzue në Prishtinë kolonel Ahmet ALISHANIT çmimin e lartë AHMET KRASNIQI

Çmimi i lartë “Ahmet Krasniqi”, i akorduar nga “Gazeta e Alpeve” (gazetë rajonale, panshqiptare e ndërballkanike) iu dorëzua nga bartësi i këtij Çmimi për vitin 2019, nga atdhetari e veprimtari i njohur Hilmi Gashi i Drenicës: drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, Austri, Luksemburg e Lihtenshtejn; publicist; Veteran i Luftës së Kosovës; mik, bashkëluftëtar e bashkëpunëtor i afërt i kolonel Ahmet Krasniqit, ish-Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës (FARK) e“ Hero i Kosovës”; ma herët dhe ish-antar i Këshillit Kombëtar të Mbrojtjes të Kosovës- të udhëhequr nga heroi Ukshin Hoti.

Atdhetari e veprimtari Kolonel Ahmet Alishani- ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm i FARK-ut, është një ndër miqtë e bashkëpunëtorët më të afërt të kolonel Ahmet Krasniqit, Ministrit të Mbrojtjes të Kosovës, Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), autor i disa shkrimeve në media, si në “Gazeta e Alpeve” etj.

Në këtë event ceremonial, në kushte të kufizuara nga masat e Covid-19, nderonin me praninë e tyre dhe drejtues e bashkëpunëtorë të “Gazeta e Alpeve” nga Tirana e Kosova.

Kolonel Ahmet Krasniqi u lind me 15 janar 1948 në Zhilivodë të Vushtrisë të Kosovës, në gjirin e familjes së patriotit hero Aziz Zhilivoda. Kreu suksesshëm Akademinë Ushtarake të Ushtrisë Tokësore (1969-‘73) dhe Akademinë Komanduese (1981-‘83). E filloi karrierën ushtarake në Zagreb, pastaj komandant në Garnizonin e Gospiqit, por në kohën e Luftës Kroato-Jugosllave dezertoi nga rradhët e APJ-së dhe rreshtohet në anën e Luftës Kroate, së cilës i bën sherbime të larta e shumë të dobishme, çfarë nuk kishin mundur t’ia bënin as vet institucione ushtarake Kroate. Pas ngjarjeve në Qirez e Likoshanë të Drenicës dhe më 4-6 mars 1998 në Prekazin legjendar, formohet Ministria e Mbrojtjes me ministër Kolonel Ahmet Krasniqin, njiherash dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, duke krijuar qendra e kurse stërvitore, ngriti njësitë e brigadat e para në Zonën e Dukagjinit si Brigada 131 me komandant Rrustem Berishën, Brigada 133 me komandant Kemajl Shaqirin, brigadat në Kolsh e Kalimash me komandantë përkatës major Fuad Ramiqi dhe Rashit Mustafa (Karadaku), etj.; kryhet beteja e madhe frontale me armikun në Loxhë nga Brigada 134 e Tahir Zemajt, etj. Ndërkohë që kolonel Ahmet Krasniqi po udhëhiqte Luftën e Kosovës për Liri e Pavarësi, dora e zezë e qëlloi fshehurazi dhe e vret në natën e vonë të 21 shtatorit 1998, në Tiranë, para 22 vitesh.

Çmimi “Ahmet Krasniqi” u nda për herë të parë në “Takimin e Plavë-Gucisë”, në Vuthaj, më 1 gusht 2019, organizuar nga “Gazeta e Alpeve”, në prani të Nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu; të këshilltarit për Rajonin të Presidentit të Shqipërisë, z. Flamur Gashi; të ish ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, dr. Islam Lauka e të tjerë. Fitues i parë i këtij Çmimi të madh ishte atdhetari e veprimtari Hilmi Gashi nga Drenica, publicist, Veteran i Luftës së Kosovës.

 

RALI  LURA

NJË HISTORI RRETH VARREZËS SË USHTARËVE TË MONARKISË AUSTRO- HUNGAREZE NË PEJË – Nga Ryzhdi Baloku

 

 

Serbët ia kanë ditur hallin vetës çdoherë, kur kanë pasur punë me ndonjë shtet të fortë.

Shteteve, si Austria e Hungaria, as Jugosllavia e as Serbia si okupuese të Kosovës që ishin dikur, s’kanë pasur guxim t’ia zhdukin varrezën e ushtarëve të tyre në Pejë, varre të para një shekulli, edhe pse ka pasur ca tentime të fshehta, por pa sukses, nga “duart e zgjatura” të pushtetarëve lokal, serb e malazez, për t’i asgjësuar kryqet e varreve, pak nga pak, e në mënyrë tinëzare, si hajnat, natën, e jo siç kanë vepruar pa frikë e pa fije turpi mbi varret shqiptare, të cilat janë fshirë nga faqja e dheut, me një “lëvizje”, brenda ditës.

Ai pushtet, ngjashëm ka vepruar edhe me qytetin antik që graviton në hyrje të Pejës, i njohur në histori me emrat: “Siperana, Seperana, Separana, Separanta dhe Separantum”, me përhumbje gjurmësh, ngase objektet arkeologjike të gjetura aty, kishin të bënin me paraardhësit e shqiptarëve.

Lidhur me këtë temë, vlen për të cekur se në vitet e 60-ta, si nxënës i vijoja mësimet në Gjimnazin e Pejës, andaj, pothuajse çdo ditë më duhej të kaloja rrugës që shtrihej bri kësaj varreze të ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze, të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918. E mbaj në mend mirë tablonë e saj plot kryqe betoni, të cilat qëndronin mbi varre që shtriheshin deri në stom të rrugës. Sot, shumë nga ato kryqe mungojnë, si tentativë e pushtetit lokal serbo-malazez të asaj kohe, që kishte për qëllim t’ia humbnin gjurmët e ekzistencës së varreve të cekura.

 

 

 

 

Sipas mendimit tim, në ruajtjen e kësaj varreze të ushtarëve Austro-Hungarez, rol të rëndësishëm kanë luajtur famullitarët dhe personelit i kishës katolike “Shën Katarina” të Pejës, e cila graviton shumë afër kësaj varreze. Kam bindjen se ata iu kanë kundërvu drejt për së drejti tentativave për tjetërsimin e kësaj sipërfaqeje tokësore.

Mendoj se, angazhimi i tyre lidhur ruajtjen e kësaj varreze është rezultat i mirënjohjes dhe njëkohësisht një mënyrë edhe e larjes së një pjese të borxhit që e kanë shqiptarët ndaj Monarkisë së përmendur.

Duke e ditur mirë se Austria dhe Hungaria si dy shtete të fuqishme do t’i dilnin zot priftit dhe personelit të kishës katolike shqiptare në Pejë, pushtetarët lokal të asaj kohe “e kanë ulur bishtin. Pra, sipas mendimit tim, e gjithë kjo është edhe arsyeja përse ka arritur të mbijetoj kjo varrezë, brenda qytetit të Pejës.

Sa i përket varrezave të shqiptarëve, pushteti okupues i asaj kohe e ka ditur mirë se s’ka kush të reagoj për to, andaj edhe i ka zhdukur pa i lëvizur qerpiku.

Sot, banorët e lagjes, në të cilën graviton varreza e ushtarëve të cekur, tregojnë se, këtë varrezë e viziton herë pas here ambasadori i Hungarisë dhe personeli i asaj ambasade.

Në anën tjetër, lidhur me këtë çështje, të moçmit flasin se si në Pejë janë zhdukur shumë varreza shqiptare, e që ndër to përmenden ato në krye të lagjes Kapeshnicë, për çfarë banorët e saj ende e përdorin toponimin “Breg Vorre” si përcaktim orientues, pastaj “Vorret e Gjata”, ku deri në vitet e 60-ta të shekullit XX ishte fusha e futbollit, e cila më vonë u shndërrua në park, e që afër saj, mandej asokohe u ndërtua “Shtëpia e Kulturës”, në një pjesë të kësaj varreze.

Dikur në këtë qytet ka pasur varrezë shqiptare edhe në “Karagaç”, mu aty ku gjendet “Parku i Madh”, në të cilin vend funksionon objekti hotelier “Kampi” dhe në të cilat sipërfaqe janë ndërtuar sallat dhe fushat sportive, në të dy anët e saj.

Lidhur me varrezat që s’ekzistojnë më, mora vesh se brenda rrethojave të “ish-Dispanzerit” paska qenë një varrezë e shqiptarëve, ku pos tjerëve është varrosur edhe Gjon Augustin Gashi, i njohur si Gjoni i Vogël, si dhe tjetra varrezë më e hershme se kjo, së bashku me një kishë shqiptare paska qenë në lagjen “Asllan Çeshme” të Pejës.

Sa i përket varrezës së përmendur, aty ku prehen eshtrat e 208 ushtarëve të Monarkisë Austro-Hungareze dhe ushtarëve të shteteve tjera të rënë në Luftën e Parë Botërore, gjatë viteve 1914-1918, duhet të ruhet me fanatizëm nga shqiptarët, sepse mu ai shtet i asaj kohe ia vuri themelet e shtetit shqiptar, pas rënies së Perandorisë Otomane, përkundër ca shteteve me ndikim që asokohe ishin kundër, e që po ashtu në këtë pjesë të trojeve shqiptare, për herë të parë pas okupimit serb e malazez, ata në Kosovë i hapën edhe shkollat në gjuhën shqipe, për çfarë duhet t’ju jemi shumë mirënjohës.

Thaçi zbardh temat e diskutuara me Erdoganin: Turqia, partnere strategjike e Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme në Stamboll është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin kanë zhvilluar një bisedë produktive.

Presidenti Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë që i bëri Erdogan.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe për bisedën produktive për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale dhe globale. Turqia është një partnere strategjike, e cila ka mbështetur forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Në takimin e sotëm ishte prezent edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, kurse takimi u zhvillua në rezidencën presidenciale Vahdettin në Stamboll.

Thaçi, ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Turqi, prej fundit të qershorit të këtij viti kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzën ndaj tij. Ndërsa ishte nisur nga Prishtina për në Vjenë e pastaj do të shkonte në SHBA, Presidentit iu ndal në gjysmë rrugëtimi drejt Shtëpisë së Bardhë pasi Specialja lëshoi njoftim se ka propozuar aktakuzë ndaj Thaçit

Kurti: Duhet prani e përhershme e Policisë së Kosovës në Karaçevë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur në një konferencë për media, për aksionin e mbrëmshëm të Policisë së Kosovës në fshatin Karaçevë të Kamenicës.

Ish-kryeministri Kurti ka përgëzuar punën e Policisë së Kosovës, mirëpo ka thënë se koka e krimit të organizuar nuk është në Karaçevë.

“Krimi i organizuar në Karaçevë nuk e ka kokën në Karaçevë. Gjarpri i krimit e ka vetëm bishtin në Karaçevë, jo kokën. Uroj që të mos dal ajo e mbrëmshmja edhe një shfaqje më shumë e regjimit të vjetër. Pas aksionit të mbrëmshëm nevojitet prani e përhershme në Karaçevë të Dardanës”, ka thënë Kurti në një konferencë për media.

“Numri më i madh i kriminelëve të paqes për metër katrorë në Republikën e Kosovës është në Prishtinë”, ka shtuar Kurti.

Në aksionin policor të së premtes, për kapjen e veprimtarive të kundërligjshme u arrestuan mbi 30 persona në fshatin Karaçevë, në mesin e tyre 10 policë.

Po ashtu, në këtë aksion, njoftohet se u rrënuan edhe 12 objekte ku zhvillohej veprimtaria e bixhozit dhe lojërave të fatit.

Komunikata e rrezikshme numër 59 – Nga Xhafer Shatri

Televizioni publik është në rrugë të sigurt për t’i ngjarë si veja vesë televizionit verikorean. Pushtetarët tanë, sa herë kanë problem me atë që Jungu e quan domosdoja e kompensimit, i gjuhen RTK-së. Sepse aty kalirojnë mbarë e mbrapshtë pa dro se dikush ju shtron pyetje të pakëndshme. Në intervista të tilla shihet qartas parapërgatitja skenike dhe pyetjet e porositura. Kur ai që luan rolin e gazetarit tejkalon la mis en scène, atëherë mjafton një rrudhje syri ose një mërrolje vetullash e shefit të shefit të shefave që ai të tërhiqet me grimasën e fajësisë.

Kjo u pa edhe në intervistën e Hashim Thaçit dhënë, nga zyra e tij, RTK-së, më 12 shkurt 2019. Ishte një vjellje publike e shëmtuar e injorancës dhe hipokrizisë. Çuditem se si këshilltarët e tij e lejojnë të bëjë gafa të tillë. Por, fundja edhe ata janë banorë të të njëjtës kënetë morale.

Meqë taksa ndaj Serbisë tashmë është bërë këngë për lahutë, Thaçi e drodhi zërin deri në shterrje, duke folur 30 minuta për diçka që do të mjaftonin tri fraza me vetëm një kryefjalë. Jam krejt i sigurt se Amerikës i dhëmbin veshët nga serenatat e mujsharëve që e dijnë zezëditën që po i pret.

Por, të merremi vesh, qëllimi i intervistës nuk ishin taksat. Ishte një hall tjetër i kahershëm që lidhet me luftën dhe rolin destruktiv të Hashim Thaçit në të. Ishte halli i komunikatës famëkeqe numër 59 që mbante firmën e të ashtuquajturit Shtab i përgjithshëm i UÇK-së. Kjo komunikatë, si duket është objekt i Gjykatës speciale dhe, si shumë të tjera, edhe kjo fletërrufe e shëmtuar i atribuohet Hashim Thaçit, këtij përçarësi të paskrupull të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës.

Për çka është fjala? Në një konflikt mes Gani Gecit dhe Abedin Rexhës, Sandokanit, të nxitur sipas të gjitha gjasave nga Hashim Thaçi, më 7 tetor vritet Abedin Rexha. Si Geci, si Sandokani, nga ato që dihen deri tash, kanë qenë luftëtarë të vendosur për çlirimin e Kosovës. Mirëpo Gani Geci, aktivist i LDK-së, me disa mbështetës të tij, disa vite më parë, kishin bërë një ‘gabim’: e kishin penguar Hashim Thaçin që, përmes një komploti të tejdukshëm, të bëhet kryetar i Forumit rinor të LDK-së për komunën e Skënderajit, kështu që personi i njohur me nofkën Gjarpni, nuk e kishte harruar këtë disfatë, prandaj edhe ishte përpjekur gjatë luftës dhe pas saj ta eliminonte fizikisht Gani Gecin. Ishte kjo një hakmarrje primitive që u kushtoj me jetë disa personave.

Komunikata numër 59, e botuar më 31 tetor 1998 në gazetën “Bota e Re“, të cilën, asokohe, e redaktonte i biri i njërit prej agjentëve më të rrezikshëm të KOS-it (Shërbimi sekret ushtarak serb) në komunën e Istogut, demonizonte Gani Gecin, duke e shpallur atë dhe familjen e tij si njerëz të Serbisë, ndërsa Ganiun edhe si bashkëpjesëmarrës në ekspeditat ndëshkimore të policisë serbe kundër shqiptarëve. Ishte ky një kafshim i pabesë prej gjarpni që i hapte rrugën një lufte vëllavrasëse në orët më të liga të Kosovës.

Por ajo që nuk e priste Thaçi ishte se kundër kësaj komunikate shpifëse, më 5 nëntor 1998, dolën të gjithë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit (11 veta), disa prej të cilëve, njerëz shumë të afërt të Thaçit, duke nënvizuar se Geci, një luftëtar aktiv që prej ditëve të para të kryengritjes së armatosur, e kishte vrarë Sandokanin në rrethana të vetëmbrojtjes së domosdoshme.

Familja Geci, një familje e madhe dhe e njohur gjithandej në Drenicë, e prekur padrejtësisht në nder e në sedër, nuk kërkonte asgjë më shumë veçse të korrigjohej kjo shpifje denigruese me kërkim falje publike.

Iu desht të durojë e të presë mbi 20 vjet për këtë akt të thjeshtë dhe detyrues për çdo njeri me minimumin e skrupujve moral. Sepse atë që Hashim Thaçi ka mundur dhe e ka pasur për detyrë ta bëjë me mijëra herë e bëri vetëm atëherë, kur i trokiti në derë rreziku real i Gjykatës speciale.

Thaçi në RTK, me atë fjalorin dhe sidomos sintaksën e tij fukaré, përtypte dhe përsëriste me vështirësi fjalët e mësuara përmendsh:

“… Gjatë luftës kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar… me luftën e UÇK-s, me emrin e UÇK-së me emra të individëve të caktuar nga Ushtria Çlirimtare… janë lëshuar komunikata apo deklarata edhe nga bahnofa jashtë vendit për të përçarë UÇK-në, për të përçarë ushtarët e UÇK-së, për të krijuar konfuzion në opinionin publik por edhe për të cënuar njerëzit…, ka pasur deklarata e komunika që kanë qenë krejtësisht në kundërshtim me vullnetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…

Por për të përmendur rastin konkret, komunikatën 59 që përmendet në opinion është një komunikatë abuzuese që nuk i takon UÇK-së është nxjerrur nga individë keqbërës dhe pa dijeninë e Shtabit të përgjithshëm… është lënduar luftëtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Geci dhe familja e tij, prandaj shprehi ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri me tani se ajo deklaratë dhe disa të tjera, e ka pasur deklarata apo komunikata që janë nxjerrë me lista të tëra të njerëzve të politikës së Kosovës duke filluar nga Ibrahim Rugova duke i rrrezikuar, duke i kërcënuar që kanë qenë vërtetë deklarata abuzuese të njerëzve keqbërës… “

Disa trabantë të Thaçit këtë mea culpa u përpoqën t’ia shesin opinionit të traumatizuar si burrëri. Por ky pranim i stërvonuar dhe i nxjerrë me një kërcënim serioz penal mund të jetë çdo gjë, por burrëri kurrsesi jo. Llogaritë e Hashim Thaçit ishin të kalkuluara mirë, ai me këtë gjoja kërkimfalje shpresonte të evitojë disi që Gani Gecin, një njohës të mirë të rrethanave dhe të luftës në Drenicë të mos e ketë si dëshmitar në Gjykatën speciale.

Por t’i kthehemi komunikatës së ‘famshme’: të gjithë njohësit e rrethanave e dijnë se kjo komunikatë dhe përplot të tjera që turpërojnë çdo Lëvizje Atdhetare ose janë shkruar ose janë diktuar nga Hashim Thaçi, alias Gjarpni. Personalisht. Shpejt opinioni publik, përmes Gjykatës speciale do të mësojë edhe gjëra të tjera të ngjashme poaq të neveritshme.

Vlen të përmendet gjithashtu se, bashkëluftëtarët e Thaçit, Jakup Krasniqi e Bardhyl Mahmuti, intervistën e tij në RTK e komentuan si një përpjekje për të shfajësuar vetën. Jakup Krasniqi pohoi se: “Hashim Thaçi si udhëheqës politik i UÇK-së e di shumë mirë se asnjë komunikatë e UÇK-së nuk është lëshuar “nga banhofat me qëllim që të përçajë UÇK-në”. Sikur të kishte ndodhur një gjë e tillë ne do të kishim reaguar që në atë kohë kundër çfarëdo tendence të tillë…“

Ndërkaq, Bardhyl Mahmutit, pas intervistës në fjalë, kishte pasur një bisedë me Gani Gecin. Në thelb edhe Mahmuti mohon çdo autorësi të kësaj komunakte dhe për intervistën e Thaçit thotë se : Në këtë rast kemi të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.“

Për këtë çështje të mprehtë, para dy vitesh dha detaje edhe një njohës tjetër i mirë i rrethanave të luftës në Drenicë, gazetari e deputeti Milaim Zeka. Familja Geci, duke iu referuar Zekës ka pohuar publikisht se tre dëshmitarë: Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Fatmir Limaj konfirmojnë se komunikatën numër 59 e ka shkruar Hashim Thaçi. Sipas Milaim Zekës, Hashim Thaçi ia ka lexuar Rexhep Selimit në telefon satelitor komunikatën nr. 59 dhe Rexhep Selimi i ka thënë Thaçit se këto shpifje unë nuk i përkrah ndërsa Hashimi ia ka kthyer „e di por po du me ja futë“.

Meqë po flasim për komunikata, nuk duhet harruar edhe një gjë. Përcjellësit e procesit të montuar politik që po mbahet tash disa muaj në Prishtinë kundër Murat Jasharit, Sadri Ramabajës etj., si pjesëtarë të të ashtuquajturit grup “Syri i popullit“ kanë vërejtur të përvijohet një tendencë diabolike e Prontomafisë që autorësia e komunikatave të pakëndshme, përfshi edhe këtë me numër 59,  t’i faturohen Sadri Ramabajës.

Para dy vitesh, Hashim Thaçi, u përpoq ta davarisë edhe një dyshim tjetër poaq të rrezikshëm në një procedurë penale. Fillimisht ai u zotua se ishte i gatshëm, sipas kanunit, të bënte be me 124 pleq për të dëshmuar pafajsinë lidhur me vrasjen mizore të Haki Imerit, të cilin, më 2 nëntor 1999, duke u kthyer nga shkolla ku punonte e arrestuan tre ‘ushtarë’ të UÇK-së. Atë e dërguan në mal e torturuan mizorisht dhe në fund e vranë dhe e dogjën. I vetmi faj i Haki Imerit ishte se ai ishte aderues dhe aktivist i LDK-së.

Familja e tij vite me radhë ka drejtuar gishtin drejt Hashim Thaçit si nxitës të këtij krimi.

Vëllai i Hakiut, Imeri, gjatë luftës është arrestuar nga Sabit Geci në Shqipëri dhe është mbajtur atje disa muaj nëpër burgje të improvizuara ku edhe është torturuar mizorisht nga Sabiti dhe banditët e tij. Imeri, një burrë i zgjuar e i guximshëm ka bërë të pamundurën për të zbardhur vrasjen e të vëllait dhe kur e pa se kjo është e pamundur, sepse drejtësia në Kosovë është kryesisht vullnet i Prontomafisë, përdori zgjuarsisht frikën e Thaçit nga ‘Specialja’, i mori një dekoratë të detyruar  “Hero i Kombit“ për vëllain e vrarë dhe, çka është më e rëndësishmja, edhe një skenë të emetuar në televizion, kur Thaçi shkoi vetë, gjoja për nderime, te varri i Haki Imerit.

Ishte një pamje e paharrueshme që të përkujtonte filmat e Hiçkokut, sidomos momentin kur vrasësi kthehet në vendin e krimit./15.02.2019

 

Vojsa Osmani ia dërgon Hagës kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka nisur letër Ekaterina Trendafilovas, kryetares së Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në këtë letër, që ka siguruar Radio Evropa e Lirë, Osmani ka kërkuar shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës mbi të drejtat dhe liritë themelore.

Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.

Letra e nisur nga Osmani drejt Trendafilovas.

Letra e nisur nga Osmani drejt Trendafilovas.

Më 25 gusht, presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Në letrën dërguar Trendafilovas, Osmani ka thënë:

“Do t’ju isha mirënjohëse nëse ndryshimet e propozuara do t’i dërgoheshin te Dhomat e Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për shqyrtim paraprak se ndryshimet e propozuara nuk zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të kushtetutës”.

Bazuar në amendamentin e Kushtetutës së Kosovës, në bazë të së cilit janë formuar Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë, mandati pesëvjeçar i këtij institucioni skadon në gusht të këtij viti. Megjithatë, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, thuhet që mandati i kësaj gjykate do të përfundojë atëherë kur Këshilli i Bashkimit Evropian do t’i lajmërojë për këtë institucionet e Kosovës, gjë që konfirmohet edhe në vetë këtë gjykatë.

Sipas amendamentit ekzistues të Kushtetutёs lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar, një Dhomë e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, e përbërë nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë, vendos ekskluzivisht mbi referimet kushtetuese në lidhje me Dhomat e Specializuara dhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me ligjin e veçantë.

Nëse ky propozim arrin te deputetët, ai duhet të miratohet me dy të tretat e votave në kuvend, apo 80 vota.

Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk kanë dashur të komentojnë veprimin e presidentit lidhur me vazhdimin e mandatit të gjykatës.

Mirëpo, në fund të vitit të kaluar, në pyetjen e Radios Evropa e Lirë lidhur me atë se a do të duhet që institucionet e Kosovës të vendosin për vazhdimin e mandatit të gjykatës, zyrtarët në Hagë kanë thënë se “për vazhdimin e mandatit, nuk janë të nevojshme formalitetet ose veprimet specifike”.

Ndryshe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundër të cilit tashmë është paraqitur një aktakuzë për shqyrtim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë kësaj gjykate, në fund të gushtit ka thënë se shpreson se deputetët do ta mbështesin këtë kërkesë. Sipas tij, “mbështetja e drejtësisë për të bërë drejtësi e nderon Kuvendin e Kosovës, dhe rrit përgjegjësinë e shtetit të Kosovës”.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Presidenti Thaçi i ndan ‘Urdhrin e Lirisë’ presidentit Trump

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të premten se i ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë –presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Në një videomesazh dhe komunikate për medie të zyrës së presidentit Thaçi, thuhet se në një letër dërguar presidentit Trump, ka deklaruar “se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike. Populli i Kosovës mbetet përjetësisht mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës – shpëtimtares sonë që në ditët tona më të errëta na qëndroi pranë dhe vazhdon edhe sot”, thuhet mes tjerash në letër.

Presidenti Thaçi e siguron me ketë rast presidentin amerikan se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Kemi punuar shumë në këto vite dhe jemi të përgatitur të japim kontributin tonë për paqe dhe siguri në botë. Po ashtu, jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Është më e qartë se kurrë, thuhet në letër “që kjo mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Roli juaj në këtë proces është jetik. Kosova është me të vërtetë e bekuar që gëzon mbështetjen tuaj të palëkundshme për përmbushjen e aspiratave të saj”.

Presidenti Thaçi thekson ndërkaq se marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nuk do të kishte qenë e mundur “pa energjinë, synimin e qartë, dhe angazhimin direkt, të palëkundur dhe besnik të këshilltarit tuaj për siguri kombëtare, z. Robert O’Brien dhe të dërguarit tuaj special, ambasadorit z. Richard Grenell. Në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tyre, po ashtu kam ndarë Medaljen Presidenciale të Meritave për z. O’Brien dhe z. Grenell, për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Ëashington”.

Ai me këtë rast e ka ftuar presidentin Trump që të vizitojë dhe të bindet “për progresin që ju e keni bërë të mundur. Do të ishte nder i madh t’ju mirëpres dhe t’ju prezantoj popullin më pro-amerikan në botë”, thuhet në letrën e presidentit Thaçi. zëri i amerikës


Send this to a friend