VOAL

VOAL

Nipi i Adem Jasharit kandidat i mundshëm për president të Kosovës? Ja çfarë thonë nga familja

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, vlerëson se zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhje për Kosovën. Jashari ka thënë që nuk e sheh të unifikuar mjaftueshëm spektrin politik.

“Si shtet, që nga paslufta s’kemi qenë në krizë më të thellë; qoftë ekonomike, qoftë politike, por edhe “vëllazërore” si popull shqiptar që jemi. Spektri politik, nuk janë të unifikuar. Shfrytëzoj rastin, si anëtar i familjes Jashari, t’i bëj ftesë liderëve politik, që të jenë më të matur, më të kujdesshëm në situatën që jemi, sepse nuk mendoj që zgjedhjet do të na zgjidhin problemin e postit të presidentit”.

“Mendoj që edhe pas zgjedhjeve, sërish do të jemi në situatën e njëjtë, nëse s’kanë konsensus dhe marrëveshje mes vete. Po shpresoj, që të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të bëhet zgjidhja”, tha Bekim Jashari në Edicionin Special në Klan Kosova.

Në anën tjetër, është përfolur edhe emri i Murat Jasharit, nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, si kandidat i mundshëm për president të Kosovës.
Për këtë, Jashari ka shprehur gatishmërinë e kësaj familje, që të kandidojë për president të Kosovës nëse është e nevojshme.

“Në situatën që jemi tani nga dorëheqja e Thaçit deri sot, s’ka asnjë kontakt nga asnjë subjekt politik ose lider politik, qoftë me Muratin ose me mua për këtë temë”.

“E kam thënë edhe një herë, ne anëtarët e gjallë të familjes Jashari, nuk është që i frikësohemi përgjegjësive në momente të caktuara, sepse kemi treguar edhe në të kaluarën, që dimë dhe mundemi të kontribuojmë, kur ka nevojë vendi. Unë besoj që nëse vjen deri në atë pikë, që i gjithë spektri politik, dakordohen që të propozojnë një kandidat nga familja jonë, ne do të marrim përgjegjësi”.

“Për fat të keq është cituar familja Jashari vetëm kur kanë pasë nevojë; qoftë në zgjedhje ose situata të vështira, kur kanë qenë. Por, kur kanë siç thotë populli ‘shlirë, pa asnjë telashe’, kanë harruar të vijnë në vizitë, e lëre më shumë”, u shpreh Jashari.

Gjykata e Posaçme në Hagë refuzon lirimin me kusht të Salih Mustafës

Gjykata e Posaçme e Kosovës më seli në Hagë, refuzoi kërkesën për lirimin me kusht të ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.

Në vendimin e gjykatësit të procedurës paraprake Nicolas Guillou, thuhet mes tjerash se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe zbulimit të Kosovës, i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësonin çdo përpjekje për të ikur; të pengojë procedurat përmes ndërhyrjes te viktimat dhe dëshmitarët, ose të kryejë krime të mëtejshme”.

Sali Mustafa, ishte zyrtar i lartë në Drejtorinë e Zbulimit dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës para se të arrestohej me 24 shtator nën akuzat për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Në paraqitjen e parë para gjykatës ai tha se ndjehet i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Avokatët e zotit Mustafa thanë se ai është “paraqitur vullnetarisht për t’u intervistuar nga zyra e Prokurorit të Posaçëm dhe se do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij dhe do të paraqitet para gjykatës sipas kërkesës”.

Por, Prokuroria e Posaçme tha se zotit Mustafa “i është rritur nxitja për të ikur sepse tash është i vetëdijshëm për mundësinë e dënimit, dhe se rreziku nga ikja është më e madhe marrë parasysh numrin e kufizuar të shteteve me cilat Kosova ka marrëveshje për ekstradim”.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se çështja e zotit Mustafa do të trajtohet pas dy muajsh kur skadon edhe vendimi për vazhdimin e paraburgimit të tij.

Zoti Mustafa është i arrestuari i parë që nga themelimi i Gjykatës së Posaçme në gusht të vitit 2015 me vendim të parlamentit të Kosovës.

Arrestimi i tij u pasua me arrestimin ish drejtuesve të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.

Të gjithë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përkatësisht për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Që të gjithë i kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë.

Në një njoftim të Prokurorisë së Posaçme thuhet se procesi gjyqësor ndaj tyre duhet të fillojë jo më vonë së muaji shtator i vitit 2021.

Javën e kaluar avokatët e të akuzuarve thanë se gjykimi nuk mund të fillojë para vitit 2022.

Gjykata e Posaçme pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

zëri i amerikës

20 vjet pas, Besian Mustafa kërkon zbardhjen e rastit të vrasjes së babait

Ministri i Bujqësisë e zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa e ka kujtuar në 20 vjetorin e vrasjes babain e tij e ish-zyrtarin e Lidhjes Demokratike, Xhemail Mustafën, raporton Gazeta Express.

Mustafa në Facebook ka shkruar se mos zbardhja e vrasjeve mbetet dështim i drejtësisë së Kosovës, që nga UNMIK’u deri sot.

“20 vjet! Mos-zbardhja e vrasjeve të atdhetarëve pasluftës dhe mos-dënimi i vrasësve dhe, mbi të gjitha, urdhërdhënësve mbetet dështimi themeltar i sistemit të drejtësisë në Kosovë, që nga UNMIK-u e deri sot”, thotë ai.

Ministri Mustafa ka thënë se pa zbardhjen e këtyre vrasjeve nuk mund të ketë drejtësi në vend.

“Pa zbardhjen e këtyre vrasjeve dhe atentateve të panumërta, nuk mund të ketë drejtësi në këtë vend, e pa drejtësi, as liri të plotë”, ka thënë ai./GazetaExpress/

Prizren, ekspozitë dyersh dhe dritaresh që çojnë drejt historisë

Valtida Shukriu, e cila jeton në qytetin e Prizrenit në Kosovë, ekspozon dyer dhe dritare që ka mbledhur nga shtëpitë e shkatërruara në qytetin historik për katër vitet e fundit.

Në ekspozitën e titulluar “T’Pres N’Derë-Dritare”, projekt i realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Shukriu ka ekspozuar tetë dyer dhe katër dritare që datojnë nga shekulli i 19-të, konkretisht nga periudha osmane.

Valtida Shukriu, qytetare e Prizrenit, ka ekspozuar dyer dhe dritare historike që flasin për të kaluarën e vendit

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Shukriu tha se më shumë se 200 shtëpi historike me vlerë të trashëgimisë kulturore janë shkatërruar në Prizren dhe deklaroi se qëllimi i ekspozitës është ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ajo thotë se këtë iniciativë e ndërmori për shkak të trishtimit që ka ndjerë nga rrënimi i shtëpive historike.

“Unë si individ, u përpoqa të krijoj vetëdije kolektive se këto dyer duhet të mbrohen pasi janë trashëgimi kulturore e Prizrenit dhe përfaqësojnë një periudhë të jetës sonë”, thekson Shukriu.

Shukriu tha se këto dyer historike të Prizrenit, me më shumë aksesorë, në përgjithësi i përkisnin një familjeje me reputacion më të lartë, me standard më të lartë të jetesës.

Duke folur për traditën e vendosjes së dy trokitësve të ndryshëm në dyert historike të Prizrenit, Shukriu shprehet: “Është çekiçi. Kur troket, ka një tingull shumë më të rëndë, dhe në periudhën e Perandorisë Osmane, është konsideruar si zile mashkullore. Në momentin kur ka trokitur dikush kështu, atëherë është ditur që përpara derës është një burrë dhe është dashur të çelet dera prej të zotit të shtëpisë. Ndërkaq, kjo këtu është hallka, parmaku ndryshe, si i kemi thënë në Prizrenin tonë, e cila konsiderohet si zile femërore. Ka një tingull shumë më të butë”.

Sipas Shukriut, këto vepra përfaqësojnë një civilizim që ka jetuar në Prizren.

“Shpresoj që do të kem bashkëpunëtorë të rinj, së paku në restaurimin e këtyre dyerve të vjetra, në të ardhmen, duke menduar t’ia fali Prizrenit një vlerë të trashëgimisë kulturore, që këto dyer të ekspozohen në një vend që mund të jetë i përshtatshëm për vizitat e të gjithë vizitorëve që vijnë në Prizren”, tha Shukriu.

Ish-Presidenti ishte intervistuar në dhjetor të 2019-ës në Hagë, e kishte mbajtur sekret vizitën në Speciale

Presidenti Hashim Thaçi nuk e kishte pranuar asnjëherë se është intervistuar nga Gjykata Speciale, deri në korrik të këtij viti, kur udhëtoij publikisht për të dëshmuar për disa ditë rresht në Hagë.

Mirëpo kjo nuk ka qenë hera e parë që Thaçi kishte udhëtuar për në Hagë për t’u intervistuar.

Ndonëse nuk e kishte pranuar asnjëherë publikisht, sipas dokumenteve të publikuara nga ana e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi kishte udhëtuar në Hagë edhe më herët.

Në raportin e publikuar nga ana e Gjykatës Speciale për kërkesën për arrestim të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, prokurori ka përmendur një intervistë të Thaçit dhënë për televizionin T7, më 1 prill të 2020, kur kishte deklaruar se nuk është intervistuar nga ana e Gjykatës Speciale.

“Nuk jam marrë në pyetje, por është krejt normale me m`u bo ftesa. Edhe nesër me ardhë ndonjë ftesë, nuk është shqetësim imi. Janë intervistuar rreth 220 njerëz, nuk është fare problem”, ishte shprehur Thaçi.

Në raportin e hartuar nga Dhoma e Prokurorit të Specializuar citohet kjo deklaratë e Thaçit, duke thënë se : “Thaçi flet nëse ai ishte intervistuar nga Dhomat e Specializuara. Thaçi në fakt ishte dorëzuar në një thirrje të SPO-së më 17 nëntor 2019 dhe u shfaq për herë të parë në Hagë për intervistë më 12 Dhjetor 2019”, thuhet në kërkesën për arrestimin e tij.

Tutje, ai ishte shprehur se nuk është ‘evlia’ për të ditë nëse do të intervistohet apo jo, kur ishte pyetur se pse nuk është ftuar ende.

“Unë nuk jam evlia me ditë a intervistohem apo jo, por nëse më vjen ftesa, do t’i përgjigjem pozitivisht edhe unë”, ishte shprehur Thaçi në intervistën dhënë për Televizionin 7.

Thaçi nuk kishte pranuar se ishte intervistuar nga Specialja as kur ishte pyetur në konferencë për media, më 4 mars të 2020.

“Nuk jam intervistuar, as në Prishtinë as në Vjenë”, kishte deklaruar Thaçi më 4 mars të 2020.

Por çfarë kishte publikuar ish presidenti Thaçi në profilin e tij në Facebook, më 12 dhjetor, ditën kur ishte intervistuar në Hagë.

Më 12 dhjetor kur Presidenti Thaçi, sipas të dhënave të publikuar nga ana e Gjykatës Speciale kishte dëshmuar në Hagë, në profilin e tij në Facebook, ai kishte ndarë një aktivitet të tijin që e kishe bërë në Prishtinë.

Në këtë datë, Thaçi kishte dekoruar Fehmi Shaqirin me çmimin “Mjeshtër i Merituar”.

Nuk dihet nëse aktiviteti për të dekoruar Fehmi Shaqirin ishte bërë ndonjë ditë më herët apo Thaçi kishte udhëtuar për në Hagë pasi kishte kryer dekorimin e Shaqirit.

Ndërsa me 13 dhjetor, vetëm një ditë pas intervistimit nga ana e Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi bashkë me ish zëvendëskryeministrin e Kosovës, Behgjet Pacollin kishin udhëtuar për në Monako, ku ishin takuar me Princin e Monakos, Princin Albert II.

Smith parashikon burgim të përjetshëm për Thaçin, frikësohej se mund të kryente krime të tjera

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith, në letrën e tij drejtuar Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicola Guillou, letër e cila është e publikuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatë Speciale, kishte renditur argumentet e tij se pse Hashim Thaçi duhet të arrestohet dhe të dërgohet në paraburgim.

Smith fillimisht kishte shprehur frikën e tij se ish-presidenti i Kosovës mund të arratisej pasi aktakuza e pakonfirmuar ishte bërë publike. Sipas tij, një gjë e tillë do ta nxiste Thaçin të ikte.

Gjithashtu Smith në letrën e tij kishte pretenduar se Thaçi mund të kryejë edhe krime të tjera dhe të pengojë procedurat e Speciales. Derisa ka parashikuar se akuzat e konfirmuara nga Dhomat e Specializuara mund të sjellin burgim të përjetshëm për ish-presidentin.

“Përderisa të dhëna të caktuara dhe të përgjithshme në lidhje me aktakuzën e dorëzuar dhe të pakonfirmuar janë publikuar, ndjenja nxitëse e z.Thaçi për t’u arratisur, për t’i penguar procedurat dhe për të kryer krime të mëtutjeshme do të rritet drastikisht posa ai të informohet për aktakuzën e konfirmuar dhe për hollësitë e akuzave të konfirmuara, të cilat mund të sjellin dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në dokumentin që Jack Smith ia ka dërguar gjyqtarit të Procedurës Paraprake.

Screenshot, Kosovo Specialist Chambers

Në këtë letër shihet insistimi i Kryeprokurorit të Speciales se Thaçi duhet të arrestohet dhe të dërgohet në paraburgim./Express/

EULEX: Gjetja e mbetjeve mortore në Kizhevak, falë imazheve fotografike nga ajri

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), nëpërmjet një komunikate për medie, ka dhënë sqarime lidhur me gjetjen e mbetjeve mortore, më 16 nëntor, në Kizhevak të Serbisë, për të cilat dyshohet se janë të shqiptarëve të Kosovës.

Në komunikatë thuhet që mbetjet mortore janë zbuluar në një gurore të madhe në Serbi, nga ekspertët e EULEX-it, të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur. Gjithashtu, EULEX-i sqaron se ekspertët e saj kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015 dhe në vitin 2020, siç thuhet në komunikatë, ndodhi një përparim falë shfrytëzimit të imazheve fotografike nga ajri.

“Problemi ishte se këto janë lokacione guroresh të mëdha dhe se peisazhi ka pësuar ndryshime të vazhdueshme me kalimin e kohës për shkak se kjo gurore ka qenë në përdorim ende për një numër të viteve,” ka thënë Javier Santana, arkeolog forenzik i EULEX-it.

Siç sqaron misioni i EULEX-it, pas kërkesës për t’i marrë imazhet fotografike nga ajri të vitit 1999, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ia siguroi këto imazhe fotografike nga ajri Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur dhe Komisionit Qeveritar të Serbisë për Personat e Zhdukur në fund të vitit 2019. Në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, ekspertët e EULEX-it i kanë analizuar fotografitë dhe në bazë të analizave, në muajin shkurt është përcaktuar vendndodhja e saktë e lokacionit.

Më pas, ekspertët nga EULEX-i, Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisioni Qeveritar i Serbisë për Personat e Zhdukur, kanë kryer punën në terren në Kizhevak, e cila solli deri te zbulimi i mbetjeve mortore.

“Puna në Kizhevak është larg nga të përfunduarit. Procesi është shumë i ndërlikuar dhe merr shumë kohë. Për të pasur mundësi të vazhdohet puna, duhet të ketë një urdhër gjykate. Pas kësaj, hapi tjetër është që të vazhdohet me zhvarrimet dhe gjetjen e mbetjeve mortore. Pasi të gjinden mbetjet mortore, duhet të bëhet autopsia dhe do të merren mostrat e eshtrave për testet e profilit të ADN-së. Në rastet ku të afërmit e ndonjë personi të pagjetur i kanë dhënë mostrat e gjakut dhe do të ketë raport për përputhje pozitive të ADN-së, procesi i identifikimit përfundon. Pastaj, familjet informohen për identifikimin dhe atyre u dorëzohen mbetjet mortore të personit të zhdukur”, tha koordinatori i EULEX-it për zhvarrime, Krassimir Nikolov.

Zëvendësdrejtorja e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Tarja Formisto, u ka bërë thirrje edhe një herë të afërmëve të të gjithë personave të pagjetur që t’i japin mostrat e gjakut për ta lehtësuar procesin e identifikimit.

Lajmin për gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak afër Rashkës në Serbi, më 16 nëntor, e pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Lidhur me dyshimet se mbetjet mortore që u gjetën janë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, Gërxhaliu kishte thënë:

“Mund të konfirmoj se janë eshtra të shqiptarëve të Kosovës, në Kizhevak të Serbisë”.

Deri në gjetjen e mbetjeve mortore në Kizhevak, në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, të dhëna këto të nxjerra nga raporti i Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore dhe të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999. rel

Prokurori Smith: Thaçi i punësoi si këshilltarë dëshmitarët e mundshëm të Speciales

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ka përdorur akuza të rënda, tjera nga ato që përmenden në aktakuzën kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, në kërkesën që ia ka dërguar gjykatësit të Speciales, Nicolas Guillou, që ai ta urdhërojë arrestimin dhe transferimin për në paraburgim të katër ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, në këtë kërkesë ka pretenduar se ndër tjerash, Thaçi i kishte punësuar Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën si këshilltarë të tij, duke iu dhënë paga të majme për t’u siguruar që ata do t’i qëndronin në krah gjatë marrjes në pyetje përballë hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton Gazeta Express.

“Përpjekjet për të ndikuar në dëshmitarët e mundshëm, duke përfshirë anëtarë të emëruar të NPK-së, kanë përfshirë gjithashtu punësimin e tyre në poste qeveritare. Sylejman SELIMI doli nga burgu më 25 janar 2019 dhe u ftua menjëherë me një thirrje të ZPS-së më 29 janar. Brenda 72 orëve nga thirrja, ai u punësua si ‘këshilltar’ qeveritar. Pas një pakënaqësie publike, SELIMI u lirua nga detyrat e tij menjëherë pas intervistës së tij në ZPS në shkurt 2019, por jo para se të merrte mbi 15,000€ pagë për të mos bërë asgjë në vazhdim. Në të njëjtën kornizë kohore, ishte anëtari i NPK-së, Rrustem MUSTAFA ai që u intervistua nga ZPS në janar 2019. Më 14 shkurt, THAÇI e punësoi atë si këshilltar me një pagë prej 18,000€ në vit – asnjëra prej tyre nuk u shpalos publikisht derisa u zbulua në një raport të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit”, thuhet në kërkesën e ZPS-së.

Prokurori i Specializuar, Jack Smith, pretendon se Divizioni për Koordinimin e Procesit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë u formua me kërkesë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli që të përdorej nga të dy për t’u siguruar se si do të përgjigjeshin para hetuesve ish-bashkëluftëtarët e tyre.

Në këtë që prokurori Smith pretendon se ka qenë plan i mirëkoordinuar, e përfshin ministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Abelard Tahirin, që e kishte emëruar Driton Lajçin udhëheqës të këtij organi. Ky i fundit, sipas tij i kishte shërbyer vetëm interesave të Hashim Thaçit e Kadri Veselit në këtë proces.

“Për më tepër, pasi [REDAKTUAR] zgjodhi t’u përgjigjej pyetjeve të ZPS-së, në vend se të qëndronte në heshtje, ka prova që THAÇI u përpoq të siguronte që avokati që e përfaqësonte [REDAKTUAR] nuk do të caktohej të përfaqësonte të intervistuarit e tjerë. Në një rast të mëtejshëm, pak pasi [REDAKTUAR] bëri publike që ai do të intervistohej nga ZPS, THAÇI dhe VESELI [REDAKTUAR]. I pyetur nga THAÇI për situatën e tij familjare, [REDAKTUAR]. Pak më vonë, [REDAKTUAR] u takua me [REDAKTUAR] dhe i ofroi përfitime të ndryshme, [REDAKTUAR]. [REDAKTUAR] e bëri të qartë se kjo ofertë ishte në emër të Presidentit [THAÇI]. Hashim THAÇI nuk do të kufizohet në përdorimin e Divizionit për të siguruar që anëtarët e tjerë të NPK-së të qëndrojnë në krah të tij përballë hetuesve të ZPS-së. Ai u përkujdes që [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR] ta kontaktonin [REDAKTUAR] përpara intervistës së tij për ZPS […] [THAÇI] donte të kontaktonte [REDAKTUAR] ose t’i jepte [atij] një lloj udhëzimi”, thuhet në pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në kërkesën që prokurori Jack Smith ia kishte dërguar gjykatësit Nicolas Guillou, ndër tjerash, rendit edhe disa krime mbi dëshmitarët, që pretendon se janë kryer në mënyrë që ish-krerët e UÇK-së t’i heshtnin provat ndaj tyre.

Smith pretendon se dëshmitarët rrezikoheshin seriozisht nëse Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi do të liheshin të lirë, duke marrë shembuj nga -siç thuhet- krimet që ishin bërë për t’i fshehur krimet e tyre. Ai ka shkruar se dëshmitarë, përfshirë ish-ushtarë të UÇK-së dhe ish-anëtarë të organizatave ndërkombëtare në Kosovë janë shprehur të frikësuar të dëshmojnë para hetuesve. /GaztetaExpress/

Seanca tjetër ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatë Speciale mbahet muajin e ardhshëm

Prishtinë

Mesi i muajit dhjetor është caktuar si kohë për mbajtjen e seancës së ardhshme statusore në Dhomat e Specializuara apo Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ben Emerson, avokati i Hashim Thaçit, presidentit të dorëhëqur të Kosovës, paralajmëroi se do të kërkojë lirimin me kusht të Thaçit.

Avokati Emerson ka thënë se ka pranuar urdhërarrestin e lëshuar nga Gjykata Speciale ndaj Thaçit, por sipas tij, aty ka pasur redaktime, andaj ka kërkuar që t’i dorëzohen argumentet e përdorura në urdhrin e arrestit ndaj Thaçit.

Qëllimi i seancës së sotme ka qenë “të vlerësohet ecuria e çështjes dhe organizimi i shkëmbimit midis palëve në mënyrë që të mundësohet përgatitje e shpejtë për gjykim”, ndërsa në veçanti është diskutuar se deri ku ka shkuar Prokuroria me hetimet, numrin apo sasinë e përafërt të provave/dëshmive, materialet mbështetëse të aktakuzës.

Më herët, gjykatësi i Gjykatës Speciale, Nicolas Guillou, tha se sot nuk do të caktohet data për fillimin e procesit të gjykimit, megjithëse Prokuroria kërkoi që hetimi të nisë në verën e vitit 2021, ndërsa në anën tjetër mbrojtja e konsideroi këtë afat si “absurd” duke kërkuar që gjykimi të nisë në vitin 2022.

Gjykatësi ka kërkuar që prokuroria të dorëzojë sa më shpejt materialet mbështetëse për rastin që të vendoset një datë për fillimin e gjykimit. Por Prokuroria Speciale ka kërkuar kohë për t’i nxjerrë provat kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Prokuroria e Gjykatës Speciale ka kërkuar që të ketë masa mbrojtëse për disa prej dëshmitarëve që janë pjesë e rastit ndaj krerëve të UÇK-së.

Në seancën e sotme, Prokuroria ka bërë të ditur se në këtë rast janë 153 dëshmitarë të përfshirë si dhe një material prej 1.500 provash materiale, përfshirë raporte, deklarata të dëshmitarëve, fotografi dhe mbi 20 orë material audio-vizual.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë transferuar për në objektin e paraburgimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë të Holandës më 4 dhe 5 nëntor, ndërsa aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj tyre thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.

Që të gjithë të akuzuarit, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi gjatë seancave të ndara javën e kaluar u deklaruan të pafajshëm për të gjithë pikat e aktakuzës ndaj tyre.

Prokuroria Speciale: Janë 1842 zëra, kërkojmë masa mbrojtëse për disa dëshmitarë e viktima

Avokatja e Prokurorisë Speciale ka zbuluar në konferencën për ecurinë e çështjes së ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë se janë 1842 zëra në materialin që mbështet aktakuzën kundër tyre.

Sipas saj në material flasin plot 153 dëshmitarë, një pjesë e tyre e zbardhur ose në formën e transkriptove apo deklarata.

Në emër të Prokurorisë Speciale, avokatja kërkon që për disa dëshmitarë në material dhe viktima Gjykata të marrë masa mbrojtëse.

 

”Shumë shkurtimisht, mendoj se parashtrimi im ishte shumë i qartë. I nevojshëm një hetim i detajuar dhe i kujdesshëm prej mbrojtjes. Parashtrimi ynë thoshte se mbrojtja do të duhet të nisë hetimet sa më shpejt.

Sa i përket avokatit të Veselit që nuk mund të nisë menjëherë, ne kemi marrë shënim të gjitha pikat nga mbrojtja e Veselit, dhe do diskutojmë për provat konkrete.

Materiali përfshin 1842 zëra, një pjesë e të cilave është në trajtën e deklaratave, 153 dëshmitarë, një pjesë e tyre të zbardhura apo transkripteve.

Përkthimi i materialeve mbështetëse në shqip ka filluar në mënyrë të vazhdueshme që kur është dhënë aktakuza.

Parashikojmë që të kemi përkthime të plota brenda afatit 30 ditor. Prokuroria kërkon masa mbrojtëse për disa dëshmitarë dhe viktima. Parashtrimet do të dërghen para Gjykatës. Nuk mendoj se ka ndonjë dallim mes prokurorisë e mbrojtjes.

Ne do nxjerrim materiale që parashikojnë rregullin sapo ta bëjmë këtë gjë. Duhet të them që në këtë rast sa më shpejt të jetë e mundur, nuk mund të identifikohet apo përkufizohet brenda 30 ditëve.

Ne kemi bërë përgatitje për këtë nxjerrje prej disa muajsh, por bëhej fjalë për një volum shumë të madh. Këto hapa nuk do të mund të ishin marrë dhe siç e thashë duhet të kemi parasysh edhe masat mbrojtëse.

Materiali kërkon redaktime. Duhen 3 njerëz, 2 ditë të plota që të mund të përgatisin një paketë zbulimi, nxjerrje informacioni. Në këtë rast për shembull do na duheshin 4 deri në 6 ditë pune.”- tha Prokuroria Speciale e Hagës.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon nisjen e gjykimit në qershor të vitit 2022

Në konferencën statutore apo të ecurisë së çështjes, mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ka kërkuar që gjykimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të nisë jo më herët se në verën e vitit 2022.

Avokati mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi David Hooper dhe ai i ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ben Emmerson, gjatë konferencës pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, thanë se ju duhen të paktën 18 muaj që të kryejnë hetime, në mënyrë që të përgatisin mbrojtjen.

Emmerson tha se mendon se gjykimi mund të zgjasë deri në dy vjet.

Avokati i Thaçit, David Hooper e quajti “absurde” pretendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që gjykimi të nisë në qershor të vitit 2021. Ai tha se mbrojtjes i duhet që të ketë qasje në një aktakuzë që ka shkallë më të vogël të redaktimit dhe “materiali duhet të jetë i hapur për mbrojtjen”.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javësh, palës mbrojtëse do t’iu dorëzohen mbi 1,000 materiale shtesë, duke shtuar se mbrojtja ka materiale të mjaftueshme që të nisë hetimet.

“Për mendimin e Zyrës së Prokurorit, nuk ka arsye që gjykimi për këtë çështje të mos nis në verën e vitit 2021”, tha Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit Venkateswari Alagendra dhe ai i Rexhep Selimit, David Young po ashtu thanë se iu duhet kohë e mbajtueshme që të mund të kryejnë hetime të thella.

Zyra e Prokurorit tha se me parashtresën e saj nuk ka sugjeruar që mbrojtja të mos mund të kryejë hetime të thella, por e kundërta, duke shtuar se Prokuroria argumenton se palët mund të nisin sa më shpejt që të jetë e mundur hetimet e tyre.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se në këtë konferencë statusore nuk do të përcaktohet data për nisjen e procesit gjyqësor.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar ditë shtesë që të dorëzojë materialet dhe provat që ka te pala mbrojtëse.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, Prokurori i Specializuar brenda 30 ditësh, që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë, duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim,si deklarata, dokumete apo fotografi.

Mbrojtja tha se nxjerrja e materialeve duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërkaq gjykatësi propozoi që Prokurorisë t’i jepet dy javë shtesë që të nisë me dorëzimin e materialeve te pala mbrojtëse.

Ndërkaq, me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur te 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova.

Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.
Kush po i heton ish-pjesëtarët e UÇK-së?

Kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të PDK-së, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregojë se me çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar me material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.

Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t’i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj.

Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.

“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë.

Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e sipër.

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Mbi 40 mijë faqe material kundër ish-krerëve të UÇK-së

Me qëllim të konfirmimit të aktakuzës kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Prokuroria e Specializuar në Hagë është mbeshtetur te 153 dëshmitarë dhe synon që përsëri të mbështetet në shumicën e tyre gjatë gjykimit.

Prokuroria pretendon se lënda e saj disponon me gati 100.000 prova.

Prokuroria, po ashtu thotë se materiali mbështetës për aktakuzën e paraqitur për konfirmim, ka pasur mbi 40 mijë faqe.

Pranë Dhomave e Specializuara në Hagë të mërkurën do të mbahet konferenca statusore në rastin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimit.

Kundër tyre është konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjithë, aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Konferencën statusore, apo konferencën mbi ecurinë e çështjes e thërret gjykatësi i procedurës paraprake dhe ajo ka për qëllim organizimin e shkëmbimeve midis palëve. Në këtë konferencë pritet që prokuroria të tregojë se me çfarë lloji të provave disponon.

Sipas një parashtrese të Prokurorit të Specializuar dërguar Dhomave të Specializuara për këtë konferencë, e të publikuar në faqën e tyre të internetit, prokuroria pretendon se për konfirmimin e aktakuzës ka disponuar material prej rreth 43 mijë faqe, duke përfshirë raporte, deklaratat të dëshmitarëve, fotografi, e mbi 20 orë material audio-vizuel.

Prokuroria thotë se mbrojtjes parashikon t’i dorëzojë provat siç janë raportet, fotografitë, dokumentet e UÇK-së, duke përfshirë urdhrat, rregulloret etj.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara parashikon se Prokurori i Specializuar duhet të njoftojë mbrojtjen për çdo material dhe provë që ka në zotërim, si dhe me kërkesë të mbrojtjes, Prokurori i Specializuar vë në dispozicion çfarëdo deklarate, dokumenti, fotografie. Kjo duhet të ndodhë brenda 30 ditëve që nga paraqitja e parë e të akuzuarve në gjykatë. Megjithatë, prokurori duhet të paraqesë arsyetime në rast të vonesave.

Sipas parashtresës së Prokurorisë, ajo parashikon sigurimin e hollësishëm të materialit me prova për mbrojtjen deri më 30 prill 2021, kurse shton se do të jetë në gjendje t’i ofrojë listën e plotë të dëshmitarëve deri më 31 maj 2021, me kusht që procedurat aktuale paraprake pranë Dhomave të Specializuara të jenë afër përfundimit dhe se në të njëjtën kohë është planifikuar fillimi i gjykimit.

“Prokuroria aktualisht parashikon shtimin e afërsisht 50 dëshmitarëve të tjerë në listën e dëshmitarëve për gjykimin, megjithëse numri përfundimtar i dëshmitarëve mund të ndryshojë, varësisht nga rezultati të hetimeve të mbetura”, thuhet në këtë parashtresë.

Prokuroria në parashtresë thotë se redaktimi i materialeve është diçka që duhet të bëhet me kujdes, si dhe që përkthimi i materialit mbështetës të aktakuzës në gjuhën shqipe është në proces e sipër.

Prokuroria akuzon Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për kryerjen e krimeve të luftës ndaj qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Prokuroria pretendon se viktimat ishin kryesisht njerëz që gjatë kohës së luftës perceptoheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe, të zyrtarëve apo institucioneve shtetërore apo edhe që nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së.

Kjo, sipas aktakuzës, përfshinte edhe personat e lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”. rel

Këta janë 49 zëvendësministrat e Hotit

Si pjesë e opozitës Avdullah Hoti ishte mjaft kritik ndaj qeverisjes së Ramush Haradinajt për numër të madh të zëvendësministrave. Atë kohë Hoti pohonte se Qeveria “Haradinaj” ka më së shumti zëvendësministra në histori të ekzekutivit.

Tani kur i njëjti po udhëheq me ekzekutivin numri i zëvendësministrave është po aq i lartë edhe pse në fushatën zgjedhore, partia në të cilën ai bën pjesë premtoi se në çdo ministri do të jenë vetëm nga dy zëvendësministra.

Deri tani nga Qeveria “Hoti” emëruar 49 zëvendësministra në gjithsej 16 ministri, shkruan Gazeta Express.

Gazeta ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Kosovës për këtë shifër mirëpo të njëjtit për Express kanë dërguar vetëm një listë me emrin e tyre.

Ministria e Infrastrukturës, ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, kanë gjithësej nga pesë zëvendësministra,

Përderisa ministritë e lartcekura i kanë nga 5 zëvendësministra, në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe në atë të Punëve të Brendshme janë nga katër zëvendësministra.

Me nga tre zëvendësministra janë ministria e Financave,  ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe ajo e Shëndetësisë.

Nga dy zëvendësministra kanë: ministria për Kthim dhe Komunitete, ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ministria e Arsimit dhe Shkencës, ministria e Pushtetit Lokal dhe ministria e Mbrojtjes, teksa me nga një zëvendësministër funksionojnë ministria e Drejtësisë dhe ministria e Zhvillimit Rajonal, shkruan Gazeta Express.

Madje Hoti tek emërimi i zëvendësministrave nuk ka rrespektuar as kuotën gjinore. Nga 49 zëvendësministra në Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, vetëm 7 janë femra, që i bie 14.28% e numrit të përgjithshëm.

Në plan-programin qeverisës së LDK-së gjatë garës për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, thuhej se ministritë do t’i kenë vetëm nga dy zëvendësministra.

“Qeveria e Kosovës do t’i ketë 12 ministri, secila sosh me vetëm dy zëvendësministra. Të gjitha pozitat e koordinatorëve nacionalë dhe trupave të tjerë të krijuar në ndërkohë do të shuhen në ditën e parë të punës së qeverisë së re”, thuhet në plan-programin qeverisës së LDK që quhej “Beso”.

Në ndërkohë Qeveria “Hoti” në Kuvendin e Kosovës është duke u ballafaquar edhe me mungesë të kuorumit, si dhe me luhatje të vazhdueshme të koalicionit.

Kjo për shkak të temave të mëdha me të cilat po ballafaqohet Kosova, si për çështjen e Presidentit, Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe e dialogut me Serbinë.

Lista me emra të Zëvendësministrave të Qeverisë të Republikës së Kosovës

1 Agim Krasniqi ZVM – Ministria e Financave

2.Artan Berisha –ZVM-Ministria e Infrastrukturës

3.Arton Retkoceri – ZVM-Ministria e Infrastrukturës

4.Bashkim Krasniqi – ZVM – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

5.Besart Dreshaj – ZVM – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

6.Bekim Brestovci ZVM – Ministria e Punëve të Jashtme

7.Teuta Sahatqija – ZVM – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

8.Enis Sulejmanovic – ZVM – Ministria për Komunitete dhe Kthim

9.Selim Kryeziu – ZVM – Ministria për Komunitete dhe Kthim

10.Enver Hoti -ZVM – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

11.Fatbardha Emini – ZVM – Ministria e Pushtetit Lokal

12.Florian Dushi -ZVM – Ministria e Drejtësisë

13.Hamza Balje -ZVM –Ministria e Infrastrukturës

14.Muharrem Sfarqa -ZVM –Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit

15.Ergin Bunjaku – ZVM – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit

16.Nexhat Ramadani – ZVM ne Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

17Engelbert Zefaj – ZVM – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

18.Qazim Rrahmani – ZVM – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

19.Valdete Bajrami ZVM – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

20.Resul Makreshi – ZVM – Ministria e Shëndetësisë

21.Yildiray Bayram – ZVM – Ministria e Punëve të Brendshme

22.Zafir Berisha -ZVM – Ministria e Punëve të Brendshme

23.Agron Bacaj –ZVM- Ministria e Punëve të Brendshme

24 Pjetër Ndou – ZVM – Ministria e Shëndetësisë

25.  Adnan Redzeplar – ZVM – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale

26. Eldis Abazi – ZVM – Ministria e Zhvillimit Rural–

27. Kushtrim Bahrimaj – ZVM – Ministria e Financave

28. Muhamet Brajshori – ZVM – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

29. Jasmina Jovanovic – ZVM –Ministria e Financave

30.  Milan Radojevic – ZVM – Ministria e Punëve të Brendshme

31. Driton Bardheci – ZVM – Ministria e Arsimit dhe Shkencës

32.  Magbule Shkodra -ZVM –Ministria e Pushtetit Lokal

33.  Gani Dreshaj – ZVM – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës

34. Muhamedali Mergjollari – ZVM – Ministria e Mbrojtjes

35. Xhavit Zariqi – ZVM – Ministria e Infrastrukturës

36.  Erxhan Galushi – ZVM – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

37.   Rexhep Kadriu – ZVM –Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit

38.  Qerim Bajrami- ZVM-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë

39.  Arbër Grabovci – ZVM – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit

40. Muharrem Nitaj – ZVM- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit

41. Bajram Kastrati – ZVM – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

42. Halil Matoshi – ZVM – Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit

43. Bahrim Shabani – ZVM – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

44. Burbuqe Bakia-Deva -ZVM – Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit

45. Nehat Ramadani – ZVM – Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural

46.  Sadika Kofrc- ZVM-Ministria e Mbrojtjes

47. Muhamet Gashi- ZvM-Ministria e Infrastrukturës

48. Xhavit Rexhaj- ZvM-Ministria e Arsimit dhe Shkencës

49.Luan Gola-ZvM- Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Express/

Vjosa Osmani infektohet me koronavirus

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani tha të martën se është prekur nga koronavirusi.

Zonja Osmani që njëherësh është kryetare e parlamentit të Kosovës, e bëri këtë njoftim nëpërmjet llogarisë së saj në facebook duke theksuar se “në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike”.

Ajo shkroi se “përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha të martën se 16 veta kanë humbur jetën dhe janë konfirmuar 690 raste të reja me koronavirus përgjatë 24 orëve të fundit.

Që nga marsi i këtij viti 30 mijë e 495 veta janë prekur nga koronavirusi, ndërsa 849 kanë humbur jetën nga pasojat e tij.

zëri i amerikës

Policia nis hetimet pas djegies së bilbordit në Graçanicë

Në Kishnicë, e cila gjendet në territorin e Komunës së Graçanicës, është djegur një bilbord me mbishkrimin “Liria ka Emër, UÇK”.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, komandanti i Stacionit të Policisë në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq.

“Ekipet e policisë janë në vendin e ngjarjes dhe hetimet po vazhdojnë”, tha ai.

Kishnica që gjendet në magjistralen Prishtinë-Gjilan, është e banuar me shumicë shqiptare, mirëpo bën pjesë në territorin e Graçanicës, e cila është njëra ndër dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kryetar i saj është Sërgjan Popoviq nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës.

Popoviq më 16 nëntor kishte kërkuar heqjen e bilbordit “Liria ka emër, UÇK” në Kishnicë, pasi sipas tij, “banorët e Graçanicës ishin të shqetësuar”.

Popoviq pati thënë se “për incidentin e fundit ka biseduar me përfaqësuesit e policisë dhe se pas takimit raporti i policisë për këtë ngjarje do t’i dërgohet Ministrisë së Transportit, pasi ajo është pronare e tokës ku është vendosur bilbordi”.

Megjithatë, komandanti i Stacionit Policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, pohon se takimi me Popoviqin nuk ishte mbajtur, dhe as që ka pasur një kërkesë për takim të tillë.

Bilbordet me mbishkrimet “Liria ka Emër” janë vendosur në shumë pjesë të Kosovës, në kuadër të një fushate mbështetjeje ndaj ish-udhëheqësve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj të cilëve Gjykata Speciale në Hagë ka ngritur aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi gjenden në paraburgim në Hagë.

Në faqen e saj në Facebook, “Liria ka Emër”, thuhet se është nismë e një grupi vullnetmirë për të nisur një debat rreth historisë së re të Kosovës dhe nevojës së një kujtese kolektive gjithpërfshirëse në rrugëtimin e një krenarie kolektive në të ardhmen. Këtë nismë, sipas profilit të saj në Facebook, e përbëjne Burbuqe Berisha – regjisore, Eliza Hoxha – artiste dhe deputete e PDK-së, Fatmir Spahiu, aktor dhe regjisor, Festim Arifi – këngëtar, Ismail Tasholli – filozof dhe Visar Kryeziu – fotograf.

Janjiç: Në fund të vitit të ardhshëm Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje

Analisti politik Dushan Janjiç shprehet skeptik për dialogun Kosovë-Serbi për shkak të qasjes së palëve dhe Bashkimit Evropian. Ai pret që deri në fund të vitit të arrihet një marrëveshje ndërmjet këtyre dy shteteve, por pa njohje nga Serbia për shtetësinë e Kosovës. Njohësi i zhvillimeve politike, Dushanj Janjiç, beson se Kosova dhe Serbia, do të arrijnë marrëveshje deri në fund vitin tjetër, por që nuk do të ketë njohje të pavarësisë, por vetëm të realitetit në vendin tonë.

“Unë mendoj që palët mund të arrijnë një marrëveshje në fund te vitit të ardhshëm, të ngjashme siç̧ ishte ajo në Washington, ku Presidenti Vuçiç do e njoh realitetin e Kosovës, por nuk do e njoh tërësisht pavarësinë e Kosovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dushan Janjiç. Janjiç, tha se janë dy probleme që po e pengojnë progresin në dialog.

“E para është papërgatitja që ka Emisari Miroslav Lajçak dhe ekipi i tij dhe vet Bashkimi Evropian. Është e gabuar të niset me idenë se nuk pajtohemi për asgjë deri sa të arrihet pajtimi i përgjithshëm. Këso marrëveshje mund të bësh me tregtar nëpër dyqane, por jo në mes dy shteteve. Unë mendoj që duhet të pritet për ardhjen e Biden-it, në mënyrë që Brukseli të bashkëpunojë ngushtë me Uashingtonin, që ta shtyjnë para procesin e dialogut”. Analisti serb, thotë se duhet presion ndërkombëtar mbi Serbinë për çështjen e trupave të zhdukurve në luftën e fundit në vend, teksa tha se serbët i dinë se ku janë trupat.

“Veçanërisht nga ana Serbisë tema e të pagjeturve injorohet. Në Serbi njerëzit e dinë se ku janë trupat, përfshirë këtu edhe lokacionet, si Batajnica dhe vendet e tjera. Pas gjithë këtyre viteve efshtë e papranueshme që mos të zbardhen trupat e të pagjeturve, kjo nuk i ndihmon aspak Serbisë që ta mbrojë politikën e Milosheviçit dhe t’i ndihmojë disa personave t’i ikin drejtësisë, kriminelët e luftës duhet të dënohen”. BE-ja përmes një përgjigje për RTV Dukagjinin, ka thënë se nuk ka ndonjë datë për takim të radhës mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Zeka: Gjykata Speciale do të akuzojë rreth 100 figura të larta të politikës dhe ushtrisë

Ish-deputeti Milaim Zeka thotë se janë rreth 100 aktakuza që do të publikohen nga Gjykata Speciale. Thotë se shumica prej tyre janë figura të larta të politikës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Numri do të jetë i madh i atyre të cilët do të akuzohen”, tha Zeka.

“Numri total mund të arrijë deri në 100 veta. Këta 100 veta do të jenë të gjithë figura të larta të politikës dhe ushtrisë. Pastaj nëndegë se kush do të jetë në kuadër të tyre të shohim por që numër i madh do të jetë”, shtoi ai në Kanal10.

“Gjykata Speciale përveç një buxheti marramendës që e ka mandati i saj është i pakufizuar, mund të zgjasë 10 vjet, 15 vjet, 20 vjet deri të përfundojnë proceset. Çdo gjë rreth kësaj gjykate është enigmatike”, tha Zeka.

Arrihet marrëveshje, zhbllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës

Janë zhbllokuar xhirollogaritë e Telekomit të Kosovës, pas një marrëveshje të arritur mes kësaj kompanie, Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Dardafon.

Marrëveshja është arritur pas ndërmjetësimit dhe garancionit të Qeverisë.

“Kjo marrëveshje për shlyerjen e borxheve ndaj Dardafon garanton funksionimin normal të koorporatës pa pasur brengën se llogaritë mund të bllokohen dhe zbrazen përsëri. Në bazë të kësaj marrëveshjeje Telekomi obligohet që brenda 24 muajve duke filluar nga 15 janari i vitit 2021 të shlyej komplet borxhin ndaj Dardafon, që është si rezultat i vendimit final të Gjykatës së Arbitrazhit dhe njohjes së këtij vendimi edhe nga gjykatat vendore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

“Me këtë marrëveshje, borxhi i konfirmuar nga organet e drejtësisë do t’i paguhet operatorit privat në një periudhë disa-vjeçare, dhe nuk do të ketë më bllokim të llogarive nga përmbaruesit privatë. Kjo marrëveshje për zhbllokim të llogarive do të përcillet edhe nga një Marrëveshje Mirëkuptimi për Subvencionim të Kushtëzuar për Investime në operacionet vitale mes Qeverisë së Kosovës dhe Telekomit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Të hënën, Punëtorët e Telekomit të Kosovës protestuat para objektit të qeverisë, duke kërkuar zhbllokimin e xhirollogarive të kompanisë, pasi ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor.

Pse ishin të bllokuara xhirollogaritë e Telekomit?

Një marrëveshje e vitit 2009 me “Dardafon.net LLC”, i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile ka kërkuar numeracion shtesë.

Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile.

Kontrata në vazhdimësi është konsideruar si e dëmshme, por si e tillë ka zgjatur deri në korrik të vitit 2019, kur bordi i Telekomit të Kosovës pati marrë vendim për shkëputjen e saj.

Dardafon përmes përmbaruesit i bllokojë xhirollogaritë e Telekomit, pasi borxhi kishte arritur vlerën e mbi 25 milionë eurove.

Më 11 nëntor Besnik Krasniqi nga Ministria e Ekonomisë tregon se Z- Mobile, deri më tani ka arritur të marrë 6 milionë euro nga llogaritë e Telekomit.

Telekomi i Kosovës është ndërmarrje publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala.

Operatori Vala ka mbi 1.2 milionë konsumatorë në nivel vendi. Mbi 2,300 është numri i punonjësve në këtë kompani. rel

Kurti kërkon nga Qeveria e Kosovës të mbrojë të akuzuarit e Hagës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media të dielën, tha se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte në Hagë.

“Në Hagë nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit sikur individë. Shteti i Kosovës duhet të organizojë dhe koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata i pamë se i kanë avokatët e tyre secili, por nevojitet bashkërendim nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit, por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë”, tha Kurti.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, përmes një aktakuze të përbashkët nga Gjykata Speciale në Hagë akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në aktakuzën e Prokurorisë së Posaçme në Hag pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Kurti tha se pretendimet e Dhomave të Specializuara se ka ekzistuar një ndërmarrje kriminale brenda UÇK-së, nuk janë të vërteta.

“Prokuroria e ka gabim, nuk ka pasur strukturë të tillë, UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe zyrat përkatëse”, tha ai.

Ish-kryeministri Kurti ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës më 2015. Në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara.

Sipas këtij ligji, çdo i akuzuar ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.

Por, pavarësisht ligjit, mbetet e paqartë mënyra dhe forma e pagesës së disa prej avokatëve të cilët janë angazhuar nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, që u është konfirmuar aktakuza.

Qeveria ende nuk ka përcaktuar se si bëhet selektimi i avokatëve dhe a ka ndonjë limit të caktuar deri në çfarë shume, mund të paguhet një avokat që mbron të akuzuarit.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, më 9 nëntor, Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka thënë se për këtë vit buxheti i ndarë për këtë çështje ka qenë rreth 7 milionë euro. Për vitin 2021 janë ndarë rreth 6.7 milionë euro.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. rel

Williamson: Insistuese për Specialen ishte Rusia – Nëse s’do themelohej nga Kosova, do e bënte OKB-ja

Clint Williamson, ish-prokuror i Gjykatës Speciale të EULEX’it, ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk do ta formonte Gjykatën Speciale, kjo do të ndodhte në OKB.

Në një intervistë për “Ora News”, ai ka thënë se insistimi më i madh për krijimin e Speciales ishte nga Rusia.

“Kjo është një pyetje shumë interesante. Kur u publikua raporti i Dick Marty në Këshillin e Europës dhe një sërë qeverish europiane këmbëngulën për nevojën e një hetimi të plotë penal. Në atë kohë Rusia dhe Serbia, që të dyja kërkuan themelimin e një Gjykatë të re të OKB-së për t’u marrë me këtë çështje. ShBA-ja dhe Bashkimi Europian besoj se patën një qasje korrekte. Meqenëse ShBA-ja mbante përgjegjësi për çështjet e shtetit të së drejtës në Kosovë, ndaj Bashkimi Europian duhet ta mbikëqyrte hetimin dhe procesin gjyqësor që do të pasonte. Dhe kjo solli në themelimin e task forcës speciale të hetimit, të cilën unë e drejtova si kryeprokuror në Bruksel. Por edhe pas kësaj, Rusia vazhdoi të këmbëngulë për një gjykatë të OKB-së dhe kjo solli një debat shumë serioz në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fakti është se shumica e mbështeti, brenda Këshillit të Sigurimit, krijimin e një gjykate tjetër”, thotë ai.

Ai konfirmon se nëse nuk do të votohej kjo gjykatë në Kuvendin e Kosovës, e njëjta do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Nëse Bashkimi Europian nuk do ta kishte bërë këtë, nëse BE-ja nuk do të ishte në gjendje të zhvillonte një hetim, çështja do të kthehej në Këshillin e Sigurimit dhe aty do të ishte votuar për të krijuar një gjykatë të OKB-së. Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ia bënë të qartë qeverisë së Kosovës se nuk do ta përdornin veton e tyre për të bllokuar një hetim të kësaj çështje. Pasi këto ishin akuza shumë të rënda. Ndaj para autoriteteve të Kosovës doli kjo dilemë. Ose të lejonin Bashkimin Europian ta bënte këtë nën autoritetin e vet të ligjit në Kosovë dhe të bashkëpunonte me të, ose çështja të shkonte sërish në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku shumica e anëtarëve do të votonin për të krijuar një gjykatë. ShBA-ja dhe BE-ja nuk donin që kjo çështje të hiqej nga duart e BE-së dhe ta dërgonin mbrapsht në Këshillin e Sigurimit. Kjo do të kishte ndodhur nëse nuk zbatohej skenari europian”, ka thënë ai në këtë intervistë.

Lista Serbe vihet në mbrojtje të Vuçiçit pas kërcënimeve me luftë

Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës kanë kërkuar dje reagimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s pas paralajmërimeve të presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, për shpërthimin e mundshëm të një konflikti Kosovë-Serbi njëjtë siç po ndodh mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Në drejtim të krerëve të institucioneve të Kosovës ka reaguar “Lista Serbe”, duke i cilësuar si ‘histerik’ thirrjet e Kosovës për reagim nga NATO dhe BE.

“Reagime dhe kërcënime të sëmura ndaj presidentit Vuçiq i cili po bën thirrje për paqe dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura përmes dialogut të drejtuar nga BE’ja”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj partie e cila është në koalicionin qeverisës, ndërkombëtarët duhet të përmbahen nga ‘reagimet e frustruara të politikanëve në Prishtinë të cilët po bëjnë përpjekje për përfitime politike”.

Në fund thonë se Lista Serbe e ndan të njëjtin qëndrim me presidentin Vuçiq se në Ballkan “ka nevojë për paqe dhe stabilitet”./Express/

MPJD: Kosova të fillojë anëtarësimin në NATO, pastaj dialogun me Serbinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha se Kosova duhet të fillojë anëtarësimin në NATO dhe pastaj të vazhdojë dialogun me Serbinë.

Reagimi vjen pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.

“Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë, në vitin 1999. Kosova do t’i shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike – NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdonte dialogun me Serbinë”, thuhet në reagimin e MPJD-së në Kosovë.

“Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë. Reagimi dhe krahasimet e qëllimshme të Vuçiqit tregojnë qartazi qëllimin për destabilizim dhe krijimin e tensioneve të reja në rajonin e Ballkanit”, tha MPJD.

Më herët reagoi edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se pret përgjigjen e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s ndaj kërcënimit të Vuçiqit për “luftë të dhunshme”.

Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.

Azerbajxhani dhe Armenia janë duke luftuar tash e sa javë për kontrollin e tij, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.

Një luftë midis dy vendeve për këtë rajon ka përfunduar në vitin 1994 me armëpushim, por pa marrëveshje të paqes.

“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha të enjten Vuçiq.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Negociatat ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian dhe mbështeten nga Shtetet e Bashkuara. rel

Gjykata Supreme e Kosovës: Veteranët e rrejshëm, t’i kthejnë pensionet e marra në mënyrë të paligjshme

Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar se gjykatat duhet të obligojnë veteranët e rrejshëm, t’i kthejnë përfitimet e paligjshme nga pensionet në buxhetin e Kosovës.

Një interpretim të tillë, Gjykata Supreme e Kosovës e ka dhënë në shtator të vitit 2020, në rastin e të dënuarit Albert Krasniqi i cili akuzohej nga Prokuroria e Pejës se kishte përfituar pension në emër të veteranit përmes dokumenteve të falsifikuara shumën prej 3,740 euro.

Për këtë akuzë, Krasniqi ishte gjykuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 6 muaj burgim ku me pëlqimin e tij, ky dënim, i ishte zëvendësuar me 1200 euro gjobë.

Ndaj tij ishte shqiptuar dënimi plotësues që i njëjti të kompensonte dëmin ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), në shumë prej 3.740 euro.

Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në prill të këtij viti, duke e refuzuar ankesën e mbrojtës të pandehurit si të pabazuara.

Mirëpo, me pretendimin se Gjykata e Pejës dhe Apelit kishte bërë shkelje procedurale dhe shkelje të ligjit material, i pandehuri Krasniqi përmes mbrojtësit të tij ka paraqitur kërkesë për mbrojtjen e Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Sipas mbrojtjes gjykatat e rregullta kanë bërë shkelje të ligjit penale kur ishte obliguar i dënuari për të kthyer shumën prej 3740 euro të marra në emër të pensioneve, pa patur kërkesë për kompensim nga e dëmtuara Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Mirëpo një pretendim të tillë të mbrojtjes, si të pabazuar e ka refuzuar Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas Supremes, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka shqiptuar dënimin plotësues “urdhëri për kompensimin e dëmit”, ndaj të dënuarit Krasniqi, pasi sipas Supremes shqiptimi i dënimit të tillë është obligativ për gjykatën në rastet kur konstaton se është shkaktuar dëm material si pasojë e veprës penale, edhe pa patur kërkesë nga pala e dëmtuar.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, gjykata e shkallës së parë drejt ka vepruar kur e ka shqiptuar edhe dënimin plotësues, urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit të paraparë me nenin 64 par.1 të KPK, sepse kur gjykata dënon personin i cili është shpallur fajtor për çfarëdo vepre penale që përfshin vjedhjen, humbjen, dëmtimin apo shkatërrimin e pasurisë, gjykata do të urdhërojë kryesin që të bëjë dëmshpërblimin e viktimës së veprës penale. Në rastin konkret pra gjykata nuk është e lidhur me kërkesën pronësoro-juridike nga ana e të dëmtuarës sepse shqiptimi i dënimit plotësues është obligative konform nenit 62 të KPK. Pra, gjykata këtë dënim plotësues e ka shqiptuar duke marrë parasysh se MPMS është palë e dëmtuar dhe se sipas nenit 62 dhe 64 të KPK, ka mundur të shqiptoj një dënim të tillë plotësues pa kërkesën pronësoro-juridike të paraqitur nga ana e të dëmtuarësa”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky vendim gjyqësor konfirmon rekomandimet e IKD-së të cilat i kishte dhënë për sistemin e drejtësisë në trajtimin e rasteve të “veteranëve të rrejshëm”.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në shtator të vitit 2019, pas analizimit të rasteve gjyqësore dhe aktakuzave të Prokurorisë së shtetit që lidhshin me rastet e veteranëve ka publikuar raportin analitik me titullin” “Drejtësia “amniston” veteranët e rrejshëm, dëmton buxhetin e Republikës së Kosovës: Analizë e aktakuzave, proceseve gjyqësore dhe aktgjykimeve në rastet e “veteranëve të rrejshëm”.

IKD kishte gjetur se sistemi i drejtësisë kishte “amnistuar”, veteranët e rrejshëm pasi nuk kishin obliguar të pandehurit t’i kthejnë pensionet e kundërligjshme të marra në emër të kinse veteranit luftëtar.

Si rrjedhojë IKD ka rekomanduar që me qëllim të mbrojtjes së buxhetit në trajtimin e këtyre rasteve, Prokuroria e Shtetit të bëjë propozime për shqiptimin e dënimeve plotësuese për kompensimin e dëmit të shkaktuar me përfitimet e kundërligjshme të “veteranëve mashtrues” nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe se gjykatat e Republikës së Kosovës, edhe në mungesë të një propozimi nga Prokurori i Shtetit, kanë kompetencë ligjore që sipas detyrës zyrtare të shqiptojnë dënime plotësuese.

Tribunali Special cakton seancë për Thaçin dhe të tjerët

Konferenca për ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit do të mbahet më 18 nëntor në ora 11:00 në Hagë. Kështu kanë njoftuar Dhomat e Specializuara.

Thaçi e të tjerët po akuzohen për krime lufte, vrasje e trajtim çnjerëzor, shkruan Gazeta Express.

Thaçit iu konfirmua aktakuza më 5 nëntor i cili po atë ditë u arrestua dhe u dërgua në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Ish-shefi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, i ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës kundër tij, gjatë paraqitjes së tij të parë në Gjykatën Speciale.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, bashkë me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin dhe shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimin u nisën me një avion për në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një ditë përpara, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe ishte dërguar për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

/Express/

Kushtetuesja thërret seancë publike dhe përfshin Komisionin e Venecias për rrëzimin ose jo të Hotit

Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë publike për ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rastin e deputetit Etem Arifi që votoi në ditën e formimit të Qeverisë Hoti. Nga Kushtetuesja kanë bërë të ditur për Gazetën Express se kjo seancë është caktuar me datë 2 dhjetor dhe do të mbahet përmes një video konference. GJK-ja për këtë temë do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

Qeveria Hoti mund të rrëzohet nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton si ndesh me ligjin votën e deputetit Etem Arifi që edhe pas dënimit me burg kishte vazhduar të marrë pjesë në seanca.

Kjo çështje që është dërguar për interpretim gati gjashtë muaj më parë ende nuk ka marrë epilog, derisa, në Gjykatën Kushtetuese kanë bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express se për këtë rast do të mbahet seancë publike.

Kjo seancë që do të zhvillohet përmes video konferencës do të mbahet me datë 2 dhjetor.

“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet video-konferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thonë nga Kushtetuesja, derisa, bëjnë të ditur se Gjykata për këtë çështje do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

“Njëherësh, duke pas parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit”, thonë nga Kushtetuesja për Express.

Në Kushtetuese thonë tutje se që nga fillimi kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe palët e përfshira në këtë rast.

“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, Gjykata ka afat 60 ditë për shqyrtimin e kësaj kërkese, që fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues të lëndës. Përkitazi me këtë çështje, Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast edhe gjatë muajit shtator, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës”, thuhet në përgjigje.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye nga LVV-ja ishin drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend./GazetaExpress/

“Proceset në Hagë për përgjegjësi individuale”, eksperti amerikan: Keqardhje që Haga nuk merret me serbët

Me zgjedhjen e Joe Bidenit si President në SHBA mund të ndryshojë edhe qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ballkanit. Nëse kjo mund të influencojë edhe ndaj marrëveshjes së shtatorit në Uashington mes Prishtinës dhe Beogradit, prof. Daniel Serwer thekson, se “Marrëveshja qëndron, megjithëse nuk do të ketë ndonjë domethënie të madhe edhe nëse ajo zbatohet. Marrëveshja nuk e detyron SHBA për asgjë, dhe deri tani unë nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me zbatimin e saj nga Prishtina dhe Beogradi.”

Me hapjen e proceseve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe impaktit që ato mund të kenë në Kosovë, Daniel Serwer thotë, se “ne duhet ta kuptojmë që procesi zhvillohet kundër përgjegjësisë individuale të personave, jo me përgjegjësi kolektive. Shqetësimi është se ai po zhvillohet vetëm në njërin drejtim, sepse Dhomave të Specializuara u mungon juridiksioni të merren me autorët serbë të krimeve dhe Serbia ka dështuar në vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Kjo është për të ardhur keq”./DW

Profil: Kush është avokati i Thaçit në Tribunalin Special

Avokati nga Britania e Madhe, David Hooper ishte personazh i rëndësishëm dhe tejet interesant gjatë paraqitjes së parë në Gjykatën Speciale të klinetit të tij, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gazeta Express ju sjell profilin e mbrojtësit kryesor të Thaçit në Hagë.

Hooper nisi ta sfidojë Prokurorinë e Specializuar por edhe vetë Gjykatën Speciale qysh në paraqitjen e parë, duke adresuar në pjesën më të madhe të seancës kritika për shumë çështje.

Ai fillimisht tha se nuk ka qenë e mundur që “të themelohet një trupë mbrojtëse” e Thaçit për shkak të mos kryerjes si duhet të detyrave nga ana e gjykatës. Më vonë, Hooper shtroi pyetje për prokurorët e Speciales, duke kërkuar nga ta akuzat për trafikim organesh, që ishin themel i ngritjes së Gjykatës Speciale.

Ai u përplas edhe me gjykatësin Nicolas Guillou lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë që funksionon nën juridiksionin e Kosovës. Replikat nisën kur avokati David Hooper e ngriti çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.

Avokati tha se Thaçi nuk e meriton të qëndrojë në paraburgim, ndërsa shtoi se do ta kërkojë ligjërisht lirimin e tij me kusht, ndërsa rikujtoi se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e kishte quajtur Thaçin “George Washington i Kosovës”.

Avokatit i ka penguar edhe transferimi në pranga i Thaçit nga paraburgimi deri në sallën e gjyqit, duke e cilësuar këtë si trajtim të padinjitetshëm.

Kush është David Hooper?

Avokati britanik David Hooper ka përvojë në shumë fusha, veçanërisht në të drejtën penale, ku ka qenë i përfshirë në një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme gjatë viteve, shkruan Gazeta Express.

Ai paraqitet si mbrojtës para gjykatave ndërkombëtare penale. Hooper edhe më herët shërbeu në Hagë si avokat. Ai mbrojti figura të rëndësishme që u përballën me procese të rënda gjyqësore, si gjeneralin Germain Katanga nga Republika e Kongos dhe zëvendëspresidentin e Kenisë, William Ruton.

Më parë, Hooper ishte avokat mbrojtës edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Arushan e Tanzaninë. Po ashtu, ai ishte avokat edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

Puna që e bën prej shumë vitesh, e ka bërë atë që të vlerësohet si avokat i dëshmuar në shumë prej çështjeve që i ka trajtuar.

David Hooper ishte edhe kryetar i Ekspertëve Ndërkombëtarë të së Drejtës Penale në Konferencën e Gjenocidit dhe të Krimeve të Luftës të Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve për Gjykatësit Irakianë.

Ai diplomoi në Universitetin e Kentit në Canterbury. Po ashtu, Hooper studioi edhe në Kolegjin Jesus në Universitetin e Cambridgeit.

Hooper njihet për njohuritë dhe espertizën e tij të konsiderueshme në fushën e krimit ndërkombëtar, duke qenë akter kryesor i mbrojtjes juridike në një numër jo të vogël të çështjeve. Në odat e avokatëve, ai vlerësohet si avokat mbresëlënës me një stil simpatik dhe bindës, i cili pasqyrohet edhe në rezultatet fantastike që ai i ka arritur në karrierë.

Avokati britanik është pjesë dhe avokati më i shquar i grupit “25 Bedford Row” që merret me mbrojtje penale të klientëve.

Hooper e kishte përfaqësuar ish-ministrin e Planifikimit në Ruandë, Augustin Ngirabatware në një gjyq në lidhje me pretendimin e se kishte ndërhyrë në dëshmitarët e mbrojtur lidhur me dënimet e klientit për përfshirje në gjenocidin e Ruandës më 1994.

Rastet komplekse që Hooper i ka trajtuar përgjatë karrierës së tij përfshijnë edhe hetimin e çështjeve dhe menaxhimin e ekipeve mbrojtëse. Ai ishte avokat kryesor i mbrojtjes në Tribunalin Ndërkombëtar për Ruandën (ICTR) në rastin e Andre Rwamakuba, një ministër në Qeverinë e Ruandës më 1994, dhe më vonë avokat i At Nsengimana, një prift katolik i akuzuar për gjenocid. Të dy u shpallën të pafajshëm.

Pjesë e ekipit të avokatëve të Thacit është edhe amerikani Pierre-Richard Prosper, ish-prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. Ai ka shërbyer si Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George W. Bush në periudhën 2001-2005. Në skipin mbrojtës të Thaçit bën pjesë edhe avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska. /GazetaExpress/

Albin Kurti shërohet nga koronavirusi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shëruar nga Covid-19. Ai është parë sot gjatë ditës në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, duke u takuar me anëtarët e kësaj partie.

Më 28 tetor Kurti kishte njoftuar se ka dalë pozitiv në testin për Covid-19.

Në Kosovë është duke vazhduar trendi i rritjes se rasteve me koronavirus, në 24-orët e fundit janë konfirmuar 637 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 768.

Kadri Veseli para gjykatës: Jam i pafajshëm për të gjitha akuzat

Ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të martën se është i pafajshëm për të gjitha akuzat e Prokurorisë së Posaçme e cila e ngarkon atë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Veseli u paraqit në Gjykatën e Posaçme në Hagë, disa ditë pasi dha dorëheqje nga të gjitha funksionet politike për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë për veprat përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave.

Sipas prokurorisë, “krimet janë kryer midis afërsisht prillit 1998 dhe gushtit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri. Në Kosovë – Bare, Bajgorë, Llapashticë, Majanc, Potok dhe vende të tjera në komunën e Podujevës, në Drenoc dhe vende të tjera në komunën e Rahovecit, malet e Berishës në Llapushnik dhe vende të tjera në Drenas, Ferizaj dhe vende tjera në këtë komunë, Gjilan, Jabllanicë në Gjakovë, disa vende në Kaçanik, Kleçkë dhe vende të tjera në Lipjan, Likoc dhe vende tjera në Skenderaj, Malishevë dhe vende të tjera në këtë komunë, Shpella e Volljakës në Klinë, Novobërdë, Zllashë dhe vende të tjera në Prishtinë, Prizren dhe vende të tjera në këtë komunë, Suharekë dhe vende të tjera në këtë komunë, Viti si dhe Cahan e Kukës në Shqipërinë Veriore”.

Krimet, thuhet në akuzën e prokurorisë, “u kryen si pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundrejt popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999. Në veçanti krimet kishin në shënjestër njerëz që kishin bashkëpunuar ose kishin lidhje me zyrtarë të institucioneve shtetërore të ish Jugosllavisë, ose nuk përkrahnin metodat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe personat që kishin lidhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të përkatësisë etnike serbe, rome e të tjera”.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam tërësisht i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.

Zoti Veseli, është një nga katër ish drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u arrestuan javën që lamë pas nga prokuroria e Posaçme.

Me të njëjtat akuza prokuroria e ngarkon edhe ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaci dhe ish zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, të cilët u deklaruan të pafajshëm të hënën në paraqitjen e tyre para Gjykatës së Posaçme.

Ndërkaq, Rexhep Selimi, deputet i parlamentit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje do të paraqitet të mërkurën para gjykatës.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Thaçi deklarohet i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte

Mimoza Sadiku

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së parë në Hagë, u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritur nga Dhomat e Specializuara. Pala mbrojtëse tha se do të dorëzojë kërkesën për lirimin e përkohshëm të Thaçit.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore “dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.

“Deklarohem i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës”, tha Thaçi, kur u pyet nga gjykatësi i procedurës paraprake, nëse ndihet i pafajshëm apo fajtor rreth atakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai e cilësoi aktakuzën kundër tij si “të paqëndrueshme” dhe tha se është i pafajshëm “plotësisht”.

Mbrojtja: Ku janë akuzat për vjedhje organesh?

Avokati i Thaçit, David Hooper tha se aktakuza është tejet e redaktuar, dhe nuk është aq informuese dhe treguese për mbrojtjen.

Mbrojtja e Thaçit pyeti gjykatën se ku janë akuzat për vjedhje organesh dhe të ashtuquajturën Shtëpi të Verdhë, që sipas tij, janë “njollë mbi Kosovën dhe kosovarët”.

Avokati i Thaçit, David Hooper.

Avokati i Thaçit, David Hooper.

“Ku janë këto pretendime për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historisë e Shtëpisë së Verdhë e cila ishte e rëndësishme për krijimin e kësaj gjykate”, tha Hooper, duke shtuar se asnjë nga këto pretendime nuk përmenden në aktakuzën e konfirmuar ndaj Thaçit.

Hooper ngriti edhe çështjen e vendosjes së prangave ndaj Thaçit, gjatë marrjes nga qendra e paraburgimit e deri në sjelljen në objektin e gjykatës.

Administratorja e Dhomave tё Specializuara Fidelma Donlon tha se parashihet që të akuzuarit të shoqërohen me pranga deri në futjen e sallës së gjyqit, pavarësisht se kush është personi që akuzohet.

Hooper madje kritikoi që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, që nuk kanë simbole të Kosovës, ndonëse janë krijuar nga Prishtina zyrtare.

“Këto pretendime Thaçi i dinte se ishin gjepura, ai ndihmoi Komisionin Evropian në krijimin e kësaj gjykate”, tha ai.

Hooper ka thënë se pala mbrojtëse do të bashkëpunojë me gjykatën, por ka argumentuar, se për shkak të kohës së shkurtër, që prej njoftimit për konfirmimin e aktakuzës e deri në paraqitjen e parë të klientit të tij para gjykatës, nuk kanë arritur që të formojnë një ekip mbrojtës.

Mbrojtja po ashtu ka kërkuar që Zyra e Prokurorit të Specializuar të argumentojë se pse Thaçi po mbahet në paraburgim dhe të paraqes fakte se pse ai po konsiderohet se mund t’i ikë drejtësisë.

Alan Tieger nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se brenda javës do të japin informacione për mbrojtjen duke argumentuar se kanë vendosur që ta ndalojnë Thaçin që të ruajnë sigurinë e proceseve gjyqësore dhe të mbrojnë dëshmitarët si dhe për të parandaluar ndërhyrjen mbi drejtësi.

Sa i përket rrezikut për drejtësi, prokurori Tieger, i cili ka qenë prokurori kryesor në rastin ndaj Radovan Karaxhit në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, përmendi disa nga aktivitetet e fundit të Thaçit, të cilat ai tha se mund të shihen si rrezik për ndërhyrje.

Prokurori Alan Tieger.

Prokurori Alan Tieger.

“…përfshirë ngjarjet apo aktivitetet e fundit, si për shembull faktin që zoti Thaçi, ditën e fundit fare përpara se të fillonte procesi i arrestit, u informuam për faljen e dy personave të cilët ishin të dënuar për vrasjen e një bashkëpunëtori të pretenduar që nga viti 2001, që ishin dënuar më 2012 dhe pastaj ishin larguar në drejtim të paditur për një periudhë kohore”, tha Tieger.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se Thaçi, në ditën e fundit si president i Kosovës, ka falur dy të dënuar në rastin gjyqësor të njohur në opinion si “Bllaca”.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Thaçit të gjitha të drejtat dhe kërkoi nga palët që të deklarohen rreth një date për mbajtjen e konferencës statutore.

Pala mbrojtëse tha se sugjeron që konferenca statutore të mbahet më 30 nëntor.

Në Rregullorën e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96 thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Më herët gjatë ditës së hënë, pranë këtyre dhomave, paraqitjen e parë e bëri edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili u deklarua i pafajshëm dhe e quajti aktakuzën si “padrejtësi të madhe” ndaj tij.

Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Më 5 nëntor, Thaçi – i cili ka shërbyer si drejtor politik në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës –dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës.

Aktakuza

Aktakuza e përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, prej 68 faqesh është konfirmuar më 26 tetor, por u bë publike më 5 nëntor.

Sipas aktakuzës, veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit.

Po ashtu përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se këto krime janë kryer në disa lokacione në Kosovë, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, “që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”.

Në aktakuzë pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Kundërshtarët, sipas aktakuzës, ishin njerëz që u perceptuan se kanë “bashkëpunuar me forcat e ish-Republikës Jugosllave, me zyrtarët apo institucionet shtetërore ose nuk mbështesnin qëllimet e UÇK-së, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe persona të etnisë serbe, rome dhe etnive tjera”.

Sipas aktakuzës pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi “kanë pasur synimin e njëjtë për kryerjen e të gjitha krimeve që janë në këtë aktakuzë, së bashku me anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, personalisht kanë marrë pjesë në “kërcënime, marrje në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve”.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se në korrik të vitit 1998, pas një sulmi të UÇK-së në Rahovec dhe rrethinë, ishin marrë peng civilë serbë, sipas aktakuzës në këto operacione ishin të përfshirë, Thaçi, Veseli e Selimi. Sipas aktakuzës, disa të ndaluar më pas ishin dërguar në një ish-stacion policor në Malishevë, ku Krasniqi ishte identifikuar se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe “në një rast ka vizituar një dhomë ku po mbaheshin të ndaluarit”.

Në një tjetër rast, që sipas aktakuzës pretendohet se ka ndodhur në fillim të shtatorit të vitit 1998 në Zonën Operative të Dukagjinit, ku, siç pretendon Gjykata, “Thaçi dhe Selimi ndërmorën hapa për të frikësuar dhe ushtruar dominim ndaj njësive që ishin të lidhura me LDK-në, përfshirë edhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), që ishin të lidhura me qeverinë në ekzil”.

Aktakuza pretendon se më 1999, Veseli, Selmi dhe Krasniqi “ishin të përshirë në aspekte të ndryshme të transferimit, ndalimit apo dhe lirimit të të ndaluarve, që mbaheshin në një qendër ndalimi afër Kleçkës”.

Në aktakuzë pretendohet se ka pasur qendra të ndalimit në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, etj.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë kontribuar në arritjen e qëllimit “të përbashkët, ku përfshihet edhe kryerja e krimeve në këto mënyra: duke formuluar ose marrë pjesë në zhvillimin, miratimin, promovimin, shpërndarjen e planeve dhe politikave ; dështimin për të ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar dhe hetuar krimet… etj”.

Përmes veprimeve ose mosveprimeve, thotë aktakuza, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi “së bashku me ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kryen, ndihmuan ose nxitën pjesëmarrës të tjerë për krimet e paraqitura në këtë aktakuzë”.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

Ndryshe, i akuzuari i parë i Dhomave të Specializuara ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai tashmë ka deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Kush është avokatja e Jakup Krasniqit

Ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqin, gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën Speciale do ta mbrojë avokatja malajziane, Venkateswari Alagendra, shkruan Gazeta Express.

Krasniqi tha se nuk kishte dashur të mbrohej nga ndonjë avokat, por ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të përfaqësohej ligjërisht nga një jurist/e dhe kishte pranuar.

“Unë fillimisht nuk kam menduar të marr avokat mbrojtës, nuk e kam marrë me vullnetin tim. Ishte dëshira e familjes dhe shokëve që të kem një avokat dhe e pranova. Përndryshe, jam i bindur se nuk më duhet avokati”, deklaroi Krasniqi në sallën e gjykimit.

Gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, Krasniqi u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave të ngritura, ndërsa avokatja mbrojtëse kërkoi lirim me kusht të Krasnqit.

“Kemi si synim që të bëjmë një depozitim për lirimin paraprak ose me kusht të tij sa më shpejtë të jetë e mundur”, është shprehur Venkateswari Alagendra.

Kush është avokatja Venkateswari Alagendra?

Venkateswari Alagendra është avokate e shquar në Malajzi, që është specializuar në trajtimin e rasteve të krimeve nga më të ndryshmet.

Miqësore dhe e qeshur, fytyra e Venkateswari Alagendra, e njohur në mjedinsin e saj të ngushtë si Rohini, ndryshon kur i vë para pyetjeve të saj dëshmitarët në seancat gjyqësore. Ajo nuk heziton ta ngrejë zërin nëse mendon se dëshmitarët nuk po u përgjigjen pyetjeve të saj.

“Ky është një mendim, përgjigjju asaj që të pyeta!” është një fjali e zakonshme që e bën ajo në sallat e gjyqit, shkruante më 2018 gazeta kiliane “La Tercera”.

Në një rast që ishte bërë i famshëm, kur dy turistë kilianë, Fernando Candia, 32 vjeç dhe Felipe Osiadacz, 28 vjeç u akuzuan për vrasjen e një malajziani më 4 gusht të vitit 2018, ajo i mbrojti duke marrë pothuajse vëmendjen kryesore.

Ashpërsia e saj dialektike është ajo që e kishte lejuar atë të tregojë para gjykatësit të gjitha gabimet procedurale nga ana e oficerëve të policisë dhe ndihmës së shpejtë në këtë rast. Strategjia e saj kërkonte të demonstronte se Fernando dhe Felipe mbroheshin nga një sulm, përveç ngritjes së dyshimeve të arsyeshme në lidhje me paraqitjen e dëshmitarëve dhe vënien në dukje të të gjitha gabimeve të protokollit që do të provonin në fund se vdekja e viktimës mund të shmangej.

Rasti i Felipes dhe Fernandos nuk ishte i pari në të cilin ajo i mbrojti të huajt në Malajzi.

“Shumica e klientëve të mi të huaj u përballën me dënimin me vdekje, me raste të trafikut të drogës dhe vrasjes. Të gjithë përfunduan duke u liruar nga dënimi”, kishte deklaruar ajo para dy vitesh për “La Tercera”, transmeton Gazeta Express.

Venkateswari Alagendra u rrit midis Indisë dhe Anglisë dhe u kthye në Malajzi për ta kryer shkollën e mesme në Garden International School, një nga shkollat ​​më të vjetra dhe më prestigjioze në vend. Ajo mori diplomë juridike nga Universiteti i Londrës dhe një Master të Ligjeve nga Universiteti i Malajas. Ajo gjithashtu diplomoi për të Drejtën e Sheriatit në Universitetin Ndërkombëtar Islam në fillim të karrierës së tij profesionale. Një indiane etnike, ajo thotë se i është dashur të mësojë gjuhën lokale pasi kishte përfunduar të gjitha studimet në anglisht.

“Malajzia është vendi ku unë dua të shërbej si avokate dhe ku dua të jetoj. Ideja ime për ta ushtruar profesionin e avokates lindi në gjurmët e nënës sime”, kishte thënë ajo.

Që nga viti 2009, ajo ka shërbyer si bashkë-këshilltare në ekipe të ndryshme ndërkombëtare të drejtuara nga Karim Khan, avokat i së drejtës penale britanike dhe i së drejtës humanitare ndërkombëtare i cili shërben si këshilltar i mbretëreshës së Anglisë. Kështu, ajo e ka mbrojtur ambasadorin Francis Muthauran (President i Shërbimit Publik në Kenia); William Ruton (ish Presidenti i Kenisë) dhe Karma Khayat, me rrjetin televiziv libanez Al-Jadeed, në çështjen e parë që një kompani u padit përpara një Gjykate Penale Ndërkombëtare, transmeton Gazeta Express.

“Më ka pëlqyer të punoj në këto çështje ndërkombëtare dhe, në disa raste, duke hasur ndërveprimin midis ligjit dhe politikës”, kishte thënë avjokatja. “Mbrojtja ndërkombëtare është sfiduese: këto janë çështje jashtëzakonisht të mëdha me mijëra faqe provash, dhe përveç fakteve të çështjes, duhet të njiheni me faktorët kulturorë, historikë dhe politikë të situatave”.

Në vitin 2018, ajo u zgjodh në Komitetin Këshillues të Standardeve Profesionale dhe në Komitetin e Anëtarësimit të Shoqatës së Avokatëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC). I pari ofron këshilla dhe udhëzime për anëtarët mbi Kodin e Sjelljes për Avokatët dhe ofron mendime kur kërkohet; ndërsa përgjegjësia kryesore e Komitetit të Anëtarësimit është të shqyrtojë dhe vendosë për aplikimet për anëtarësim të këtij organi.

Të mërkurën e javës që shkoi, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Krasniqi në Hagë: Nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë të aktakuzës

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij. Pala mbrojtëse tha se shumë shpejt do të bëjë kërkesë për lirimin me kusht të Krasniqit.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, tha Krasniqi gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet nëse deklarohet i pafajshëm apo fajtor për krimet që rëndojnë ndaj tij.
Krasniqi: Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese

Krasniqi, para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe.

“Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, tha Krasniqi gjatë një fjalimi para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar.

Ai shtoi se “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është “koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit”.

Krasniqi u ankua edhe për trajtimin që po i bëhet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Unë jam arrestuar më 4 nëntor. Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut e deri në këtë ndërtesë”, tha ai.

Krasniqi, që ka qenë zëdhënës i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se ka lexuar aktakuzën ndaj tij dhe se e kupton atë.

“Mua më është bërë padrejtësi e madhe dhe do ta mbaj këtë padrejtësi. Unë dhe populli im kanë mbajtur shumë padrejtësi dhe nuk kemi pasur nevojë për këtë padrejtësi”, tha Krasniqi para Dhomave të Specializuara.

Sipas Krasniqit, adresa e “kësaj maskarade është në Beograd dhe mbështetësit e politikave të tij”.

Sekretarja e Gjykatës lexoi pikat e aktakuzës për të cilat pretendohet se Krasniqi i ka kryer, përkatësisht ai dyshohet për krime kundër njerëzimit: përndjekje dhe burgosje. Krasniqi po ashtu akuzohet për krime lufte si: ndalim arbitrat, akte të tjerat çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjykata pretendon se ekziston dyshimi i bazuar se Krasniqi ka kryer këto krime.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou i lexoi Krasniqit të drejtat e tij dhe pyeti palën mbrojtëse për përcaktimin e datës për konferencën e statusit. Ai tha se deri më 13 nëntor do të përcaktohet data për konferencën e statusit.

Avokatja mbrojtëse e Krasniqit, Venkateswari Alagendra kërkoi që t’i jepet mbrojtjes 30 ditë kohë që të përgatitet për konferencën e statusit.

Gjykatësi Guillou tha se Krasniqi do të mbesë në paraburgim dhe pala mbrojtëse mund ta kundërshtojë këtë masë.

Para Dhomave të Specializuara, të hënën, duke nisur nga ora 15:00 do të paraqitet edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Thaçi po ashtu ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Për çka akuzohen?

Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje.

Më pastaj përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara e kanë konfirmuar aktakuzën më 26 tetor, por ajo është bërë publike më 5 nëntor.

I akuzuari i parë i Gjykatës Speciale ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai tashmë ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. rel

Udhëheqësit e Kosovës urojnë zotin Biden për fitoren

Udhëheqës institucionesh e partish politike në Kosovë, uruan presidentin e zgjedhur amerikan Joe Biden, duke e cilësuar fitoren e tij si historike dhe duke shfaqur shpresën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani shprehu bidnjen ne urimin e saj drejtuar zotit Biden dhe zonjës Kamala Harris se “nën udhëheqjen tuaj si president amerikan dhe nën presidente amerikane, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në gjithë botën”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se mezi pret “të fuqizojmë partneritetin tonë të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojnë punën tonë në emër të njerëzve tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”.

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quajti historike fitoren e zotit Biden duke e cilësuar atë mik dhe aleat të vjetër të popullit të Kosovës.

“Udhëheqja juaj është e nevojshme në Amerikë, po aq sa në botë, për të rikthyer besimin në demokraci, sundimin e ligjit dhe dinjitetit njerëzor. Mezi pres të forcojmë lidhjet tona”, shkroi ai.

Në urimin e tij, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e quajti zotin Biden mik të madh dhe mbështetës të Kosovës së lirë dhe të pavarur.

“Kjo është fitore e vlerave euro-atlantike të lirisë dhe demokracisë, që janë shtylla të kushtetutës sonë dhe të aleancës ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj uroi “mikun e vjetër të Kosovës Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe zonjën Kamala Harris, për arritjen historike në zgjedhjen e saj si nënpresidente”.

“Të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.

zëri i amerikës

Përfundon bastisja në shtëpinë e Thaçit

Bastisja në shtëpinë e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar, njoftoi në orët e pasdites avokati i tij, Dastid Pallaska.

“Bastisja është kryer. Sa u përket qëllimeve të bastisjes, mund të them se ishin jashtëzakonisht të përgjithshme. Rrjedhimisht, nuk dukej se kishte ndodnjë shënjestrim të duhur të bastisjes, që është parakusht procedurial për urdhrimin e saj”, tha Pallaska për gazetarët në Prishtinë.

“Kjo bastisje sugjeron se aktakuza kundër Thaçit, ashtu siç është konfirmuar, mbetet një shënjestër në lëvizje, përkatësisht duket se prokuroria ende kërkon prova për ta mbështetur një aktakuzë që tanimë e ka ngritur”, shtoi Pallaska.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë njoftoi të premten se është duke kryer disa operacione në Kosovë, me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX.

Policë dhe pjesëtarë të EULEX-it u panë para shtëpisë së Thaçit në Çagllavicë, afër Prishtinës, dhe pranë zyrave të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë.

Të enjten, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Po ashtu të enjten, Thaçi, Veseli dhe Selimi janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndërsa Krasniqi është transferuar atje një ditë më parë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty. rel

Avioni ushtarak me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin u nis drejt Hagës

Ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi sapo janë nisur për në Hagë me një aeroplan ushtarak, raporton Gazeta Express.

Të tre ish-udhëheqësit e UÇK-së janë nisur së bashku për në Holandë.
Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje sot paradite në një konferencë për media ku njoftoi se i është konfirmuar aktakuza.

Kadri Veseli, po ashtu, ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja pas konfirmimit të aktakuzës.

Pas dorëheqjes së Thaçit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës.

Haga i konfirmon aktakuzën Rexhep Selimit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën kundër shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Lajmin e konfirmoi vetë Selimi në një postim në Facebook, ku po ashtu njoftoi se të enjten do të udhëtojë për në Hagë.

“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, shkroi Selimi në Facebook.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës, të kryera nga pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të mërkurën, Prokuroria e Specializuar e Hagës ka arrestuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Avokati i Krasniqit, Valon Hasani, ka thënë se pas konfirmimit të aktakuzës nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë, Krasniqi është arrestuar dhe pritet të transferohet për në Hagë. rel

Arrestohet ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi

Prishtinë

Në kuadër të një operacioni nga Zyra e Prokurorit të Specializuar apo Gjykata Speciale për krime lufte me seli në Hagë të Holandës, policia e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës për mbi 8 orë kanë kryer bastisje në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe më pas e kanë arrestuar atë, raporton Anadolu Agency (AA).

Bastisja e shtëpisë së Krasniqit, si dhe më pas arrestimi i tij ndodhi pasi siç tha avokati i tij, Valon Hasani, “aktakuza ndaj tij është konfirmuar” nga ana e Gjyaktës Speciale.

“Sot Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit i cili është lëshuar nga ana e Dhomave të Specializuara është bërë arrestimi i zotëri Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan se është konfirmuar aktakuza kundër tij dhe pritet që shumë shpejtë të caktohet seanca para Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.

Sipas avokatit të Krasniqit, urdhërarresti dhe bastisja nuk janë paralajmëruar më herët.

“Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, por janë në kuadrin e veprave të cilat bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.

Përpos në Prishtinë, pjesëtarë të EULEX-it kanë bastisur edhe shtëpinë e familjes Krasniqi e cila ndodhet në vendlindjen e tij në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) gjatë ditës njoftoi se “aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë”, pa specifikuar lokacione.

“Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e ZPS-së, e cila shton se më shumë informacione do të jepen më vonë.

Krasniqi ka qenë zëdhënës i UÇK-së gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas luftës ai ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe më pas ka mbajtur edhe postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht, ai është kryetar i Këshillit Kombëtar i Nismës Socialdemokrate dhe nuk mbanë ndonjë detyrë shtetërore.

Pa VETTING nuk ka dekriminalizim! – Nga Florim Zeqa

 

 

Pushtetarët e pas pavarësisë kanë arritur të kriminalizojnë çdo gjë në Kosovë, madje edhe një pjesë të medieve, me qëllim të promovimit të “vlerave qeverisëse” dhe manipulimit të vazhdueshëm të opinionit publik me të pavërteta rreth marrëveshjeve me Serbinë në Bruksel.

Fillimi i mbarë i shtetformimit

Drejtimi politik i Kosovës i filluar 31 vite më parë nën udhëheqjën e liderit vizionar dhe pragmatik, të urtit dhe të guximshmit, të papërseritshmit Ibrahim Rugova, Kosovën e solli suksesshëm në ditën e 12 qershorit 1999 dhe në të njëjtit binar e mbajti deri me 21 janar të vitit 2006, kur iku në përjetësi duke na lënë shumë afër cakut të dëshiruar, të njohjes formale ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, fjali kjo që i rrodhi vazhdimisht presidentit nga goja deri në frymën e fundit të jetës së tij.
Ikja e shpejtë, e parakohëshme dhe e mistershme e Rugovës në parajsën e tij, e la Kosovën të varfëruar dhe me të ardhme të mjegulluar. Një lider i përmasave të Rugovës do të na mungojë edhe për njëqind vjetët e ardhshme!
Mistrecët e politikës post-rugoviane në Kosovë, duke u munduar ta kopjojnë Rugovën, në pamundësi mbulese intelektuale dhe përvoje politike, jo vetëm që i sollën dëme të pariparueshme vendit, e katandisen keq procesin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Subjektet politike të dalura nga dy fraksionet e luftës, jo vetëm që nuk i sollën gjë të mirë vendit, shkaktuan efekte tejët negative në shtetbërjen dhe konsolidimin e pavarësisë së Kosovës.
Liderët e partive të dalura nga lufta, pasi e ndanë dhe përqanë mirë popullatën duke u thirrur në emër të vlerave të luftës, duke sharë dhe akuzur liderin dhe arkitektin e shtetit të Kosovës, ishin të parët që ju futën nën “sqetull” Rugovës (njëri para e tjetri pas shkuarjes së tij në amshim)!

Procesi i privatizimit që rrënoi ekonominë

Procesi i privatizmit të pronave publike dhe shtetërore i kryer në mënyrën më të keqe dhe të egër nga ana e pushtetarëve, e ka rrënuar në themel ekonominë e vendit dhe ka varfëruar qytetarët.
Politika kosovare, me fillimin e procesit të privatizimit zhvendoset nga procesi shtetndërtues në një instrument të pasurimit të qeveritarëve të papërgjegjshëm, të cilët përmes “tenderomanisë” korruptuan tërë sistemin qeverisës në vend, përfshirë të gjithë mekanizmat shtetëror, në radhë të parë sistemin e drejtësisë; prokurorinë, gjykatat, policinë e kështu më radhë…
Po të mos ishte kështu, nuk do të kishte pasur mundësi dikush të nxjerrë nga dhomat e “sigurisë së lartë” në Policinë e Kosovës rreth 50 kg drogë, shuma të mëdha parashë, sasi të mëdha Ari, dëshmi dhe prova faktike për drejtësinë!
Këto dhe shumë skandale të ngjajshme deri në zhvatjen fundit në thesarin e shtetit, e dëshmojnë kapjen dhe deformimin politik të shtetit në këto vitet e paspavarësisë.
Është bërë retorikë e Agjensioneve Kundër Korrupsionit (OJQ-ve), të flasin vetëm me numra, por asnjëherë me emra, qoftë edhe për rastet e (mos) deklarimit të pasurisë, e të mos flasim për raste korruptive, ku gjithmonë e kanë zakon të thonë; “ka korrupsion në institucionet e larta shtetërore…”, pa pasur guximin asnjëherë të permendin qoftë edhe një emër të vetëm të drejtuesve të lartë shtetëror!

Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen me fjalë, por me veprime konkrete

Popullata e vendit tonë duhet të vetëdijësohet, dhe të dalë me kërkesa të çarta, jo me kërkesa politike siç e bën opozita për të ardhur në pushtet, por kërkesat duhet të jenë praktike, të thjeshta dhe të çarta për bashkësinë ndërkombëtare, që në fakt janë edhe kritere bazë për liberalizimin e vizave; të fillohet me arrestimin e “peshqve të mëdhenjë”, aty ku është “kupola” e krimit të organizuar dhe korrupsionit, tek bartësit e institucioneve më të larta shtetërore, për të zbritur në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale të vendit, për të vazhduar me konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.
Nëse vërtetë dëshirojmë të bëhet mirë në vendin tonë, nëse vërtetë dëshirojmë të jetojmë të lirë në kuptimin e plotë të fjalës, nëse dëshirojmë të marrim sinjalin pozitiv për lëvizje të lirë drejt shteteve të BE-së, atëherë duhet ta mbështesim bashkësinë ndërkombëtare për aplikimin e shpejtë të një VETTING-u, që të veprojnë pa asnjë hezitim, me procedura të përshpejtuara për burgosjen dhe vënien para drejtësisë të gjithë shkaktarëve politikë (liderëve të korruptuar) dhe parapolitikë (nëntokat politike), që e sollën Kosovën në këtë gjendje mjeruese, ku pasurohen politikanët dhe varfërohen qytetarët.

Dekriminalizimi, farsë e politikës që po e fundosë shtetin

Pushtetaërt aktualë dhe partitë politike në përgjithësi, dekriminalizimin janë duke e përdoruar vetëm si slogan politik, për kapjen dhe shtrirjen gjithnjë e më shumë të rrjetit kriminal në institucionet e pavarura të shtetit.
Qytetarët e Kosovës e kanë të vështirë t’u besojnë deklarimeve të liderëve shtetërorë dhe partiakë për dekriminalizimin e politikës pa e dhënë asnjë rezultat në atë drejtim.
Është rrezik që liderët shtetërorë të vazhdojnë lojën me fjalë, duke ndryshuar sloganin politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në dekriminalizim politik.
Që dekriminalizimi të mos përdoret vetëm si slogan politik nga politikanët kosovarë, Evropa dhe Amerika duhet t’u vënë limite kohore liderëve tanë shtetërorë në përmbushjen e premtimeve,…ndryshe mund t’i kalojnë mandatet politike pa bërë asgjë në atë drejtim, siç ndodhi përgjatë këtyre 12 viteve të fundit me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Jo vetëm që nuk u luftua korrupsioni, ai mori përmasa alarmante, duke u shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës.
Dekriminalizimi i politikës dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, janë dy procese të ndërlidhura me njëri-tjetrin që duhet të çojnë në zbulimin e prejardhjes dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të inkriminuar.
Përderisa politika kriminale synon mbajtjen e pushtetit përmes parasë, përmes korrupsionit dhe presionit mediatik, vështirë të priten rezultate pozitive në dekriminalizimin e politikës pa një proces të njëmënd të VETTING-ut të monitoruar nga SHBA-të.
Në të kundërtën, theqafja dhe katandisja jonë do të vazhdojë deri në pambarim, ndërsa politikanët do të vazhdojnë të vjedhin deri në falimentim të shtetit!

Delegacionit të Kosovës i vidhet çanta me dokumente konfidenciale në Bruksel

Delegacioni kosovar ka patur disa takime në Bruksel muajve të fundit në kuadër të bisedimeve me Serbinë, të udhëhequra nga BE-ja. Por në një prej këtyre takimeve ka ndodhur një incident.

Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Indeksonline se javë më parë në Bruksel delegacionit kosovar i është vjedhur çanta. Madje, mësohet se dokumentet që ndodheshin në çantë ishin konfidenciale në të cilat kishte material për bisedimet me Serbinë.

Pjesë e këtij delegacioni ishin koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, eksperti për çështje ekonomike në dialog, Muhamet Mustafa dhe ish-ambasadori në Belgjikë, Bernard Nikaj. Pak ditë pasi çanta me dokumente është vjedhur, e njëjta i është kthyer palës kosovare. Rasti është mbajtur në heshtje deri më tani, ani pse konfidencialiteti i dokumenteve është shqetësues për Kosovën dhe bisedimet e ardhshme ndaj palës serbe.


Send this to a friend