VOAL

VOAL

Këta janë deputetët e LDK që nuk po marrin pjesë në votimin e presidentit

Deputetët e LDKsë kanë marrë pjesë në seancë e Kuvendit për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë jo të gjithë kanë marrë pjesë në votim, shkruan Express.

Deputetët e LDKsë që nuk po votojnë janë: Avdullah Hoti, Agim Veliu, Driton Selmanaj dhe Valentina Bunjaku.

Gjithashtu si deputet i LDK’së ka votuar edhe Behgjet Pacolli.

Ndërkohë që Albena Reshitaj e AAK’së, ka kaluar në Grupin Parlamentar të VV’së dhe ka marrë pjesë në votim.

Kandidatët për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjithashtu për të votuar presidentin kanë marrë pjesë edhe komunitetet jo-serbe.

Procesi i votimit të presidentit ka dështuar në raundin e parë në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Përfaqësuesi i komisionit për zgjedhjen e presidentit, Sali Syba, ka thënë se janë vetëm 78 deputetë që kanë votuar.

“Në emër të komisionit konstatojmë se në proces të votimit kanë marrë 78 deputetë”, thotë Sali Zyba./Express/

Donika Gërvalla-Schwarz: Ne nuk tërhiqemi nga ky ligj ! Mërgata jonë është thesari ynë më i çmuar!

Provuam ta procedojmë në procedurë të përshpejtuar mundësinë që mërgata të votojë në ambasada dhe konsullata, por sonte nuk patëm sukses.
Opozita ishte shumë unike në bllokimin e kësaj mundësie. Arsyet i dijnë vetëm ata.
Ne nuk tërhiqemi nga ky ligj.
Në fund të fundit, edhe në procedurë të rregullt do të votohet dhe atë shumë shpejt.
Premtimin tonë do ta mbajmë.
Mërgata jonë është thesari ynë më i çmuar dhe ne asnjë herë nuk do të heqim dorë prej saj, ashtu si ajo nuk heq dorë nga Kosova.

Pandemia – Trombozë dhe viktima/ Hollanda pezullon vaksinën AstraZeneca

voal.ch – Edhe Hollanda merr vendim për të pezulluar vaksinimin me AstraZeneca.

Sipas Reuters, vendimi u mor të premten për të pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës për personat nën 60 vjeç.

Vendimi erdhi pasi një grua humbi jetën.

Autoritetet shëndetësore thanë se kanë marrë raportime për të paktën pesë raste me trombozë pas vaksinimit me AstraZeneca, përfshi një grua që ndërroi jetë.

Autoritetet thanë se rastet u regjistruan 7 deri në 10 ditë pas vaksinimit.

Vendimi vjen një ditë pasi Gjermania pezullon vaksinimin me AstraZeneca për personat nën 60 vjeç.

Mendohet se rastet e mpiksjes fatale të gjakut regjistrohen te moshat poshtë nën 60 vjeç. Më të prekura janë femrat.

Kosova i bashkohet Perëndimit në sanksionet ndaj zyrtarëve kinezë

Qeveria e Kosovës ka sanksionuar katër zyrtarë të lartë dhe një entiteti kinez lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj pakicave etnike dhe fetare në rajonin Xinjiang të Kinës.

Këto sanksione janë në kuadër të sanksioneve të miratuar nga Bashkimi Evropian dhe masat restriktive konsistojnë në ndalimin e udhëtimit në territorin e Kosovës si dhe ngrirjen e pasurive të mbajtura në territorin e Kosovës të këtyre personave.

“Sugjerimi bazohet në pjesëmarrjen e tyre ndaj shkeljeve të të drejtave të minoriteteve etnike dhe religjioze në Xinjiang, duke përfshirë: ndalime arbritare masive dhe abuzimeve të rënda fizike kundër ujgurëve, popullsive kryesisht myslimane në Xinjiang si dhe pakicave të tjera etnike dhe fetare në këtë rajon”, tha ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla teksa prezantoi para qeverisë vendimin për sanksionet.

Më 22 mars, BE-ja kishte njoftuar se kishte sanksionuar, Chen Mingguo, drejtor të Byrosë së Sigurisë Publike të Xinjiang, njëherësh zëvendëskryetari i Rajonit Autonom të Ujgurëve në Xinjangut (XUAR), ish-kreun e XUAR, Zhu Haiul si dhe Wang Mingshan and Wang Junzheng – dy zyrtarë të lartë të administratës kineze në XUAR. Po ashtu ishte sanksionuar edhe një kompani ndërtuese.

Ajo tha se këto masa ndër të tjera “dëshmojnë angazhimin e Republikës së Kosovës për të kërkuar përgjegjësi për shkeljet e të drejtave të njeriut në botë”.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë vendosur në sërë sanksionesh ndaj zyrtarëve kinezë për abuzimet e të drejtave të njeriut të pakicave etnike, kryesisht myslimane në këtë rajon të Kinës.

“Marrja e një vendimi të tillë kontribuon në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-në, si aleate të rëndësishme strategjike, BE-në dhe partnerët e tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta”, tha Gërvalla.

SHBA-ja ka thënë se Kina po kryen “gjenocid të vazhdueshëm” ndaj ujgurëve në Xinjiang. rel

Iniciohet ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme

Në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, të premten, në ora 15:00 do të diskutohet për futjen në seancë plenare të ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Edhe gjatë vitit të kaluar, Lëvizja Vetëvendosje, që atëherë ishte në opozitë, kishte tentuar që të ndryshonte këtë ligj, por nuk kishte pasur përkrahjen edhe të partive të tjera. Atëbotë, kjo parti kërkonte që diasporës t’i mundësohej votimi në ambasada që Kosova ka në shtete të ndryshme të botës.

Sipas ligjeve aktuale, pjesëtarët e diasporës së Kosovës, mund të votojnë përmes postës, proces të cilit i paraprin faza e aplikimit dhe të verifikimit të të drejtës së votimit.

Inicimi i ndryshimit të këtij ligji vjen në ditën kur pritet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një seance plenare të mbajtur të premten, paralajmëroi se vendi do të shkojë në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti i ri.

LVV-ja tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e seancës për presidentin, që pritet të mbahet pasditen e së premtes. Kandidatë për president janë Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta.

Rexhepi: Kemi siguruar kuorumin për zgjedhjen e presidentit

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

“Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, tha Rexhepi.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.

Jozyrtarisht, REL-i po ashtu merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje është duke e shtyrë përpara nxjerrjen para kuvendit të një ligji, i cili do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme janë dërguar në kryesinë e kuvendit dhe gjatë së premtes do të merret vendim për procedimin e kësaj çështjeje në seancë plenare. Këtë legjislacion, LVV-ja dëshiron që ta prezantojë para se të procedohet me votimin për presidentin.

Qeveria e Kosovës pritet të takohet gjatë së premtes në ora 16:00, por në njoftim nuk bëhen të ditura detajet e këtij takimi.

Nasuf Bejta kundërkandidat i Vjosa Osmanit

LVV-ja e Kurtit për postin e presidentit ka propozuar Vjosa Osmanin. Kundërkandidat i saj pritet të jetë Nasuf Bejta, që është pjesë e “Listës Vjosa”, listë kjo që garoi në kuadër të listës së Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.

Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie, që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Ukaj: Agim Veliu, Avdullah Hoti e Driton Selmanaj s’marrin pjesë në seancën për Osmanin

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj ka thënë se kjo parti nuk e ka për obligim që ta votojë Vjosa Osmanin për presidente. Sipas tij  arsyeja pse ajo nuk duhet që të votohet për presidente është se s’ka garuar në listën e LDK-së, por në atë të VV-së, shkruan Gazeta Express.

“Për të qenë prezent në seancës që do të mbahet për zgjedhjet e presidentit, mirëpo dihet mirë se barrën kryesore do ta mbajnë të gjithë deputetët. LDK-ja nuk ka asnjë obligim për ta bërë znj. Osmanin presidente,. E para ajo nuk ka garuar në listën e LDK-së por në një listë tjetër atë të VV-së dhe nuk e di se çfarë obligimi ka LDK-ja që ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente”, ka thënë ai në emisionin “Frontal”, në T7.

Më tutje ish-deputeti i LDK-së deklaroi se Osmani nuk e meriton me qenë presidente e vendit.

“Znj. Osmani disa herë ka bërë gabime dhe për atë nuk e meriton me qenë presidente. Ajo nuk është person unifikues dhe me asnjë subjekt politik nuk i ka punët mirë. Nuk e di se cilat deputetë të LDK-së kanë me e bë Vjosa Osmanin presidente”, tha ai në T7.

Ukaj ka folur edhe për deputetët e mundshëm të LDK-së që nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Të ju them të drejtën, të gjithë këta deputet që i kam pasur kolegë.  Në momentin e zgjedhjes së presidentit dyshojë se aty do të jenë 3-4 deputetë që nuk do të marrin pjesë në votim. Duke i njohur nga afër duke u nisur nga Z.Agim Veliu, z.Driton Selmanaj dhe z.Avdullah Hoti, duke i njohur të tre vlerësoj që nuk do të votojnë për znj.Osmani. Edhe një mund të shtohet por deri në këtë moment e di që këta të tre nuk do të marrin në votimin e presidentit”, deklaroi ai.

Më tutje anëtari i LDK-së deklaroi se Vjosa Osmani nuk është figurë unifikuese për presidente.

“Kjo i bie që nuk do të bëhet presidente dhe nuk do të jetë presidente. Gjithë opinioni e di që znj.Osmani nuk është person unifikues dhe ajo deri më tani e ka shfaqur këtë mosunifikim edhe me të gjitha partitë e tjera. Kryesia e LDK-së e kam marr një vendim por aty kanë prezent deputetët”, deklaroi më tutje Uka. /Gazeta Express/

Macron letër Kurtit: Shpresoj që ta vazhdoni dialogun me Serbinë, do t’ju mirëprisja në Paris për të folur rreth kësaj teme

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i ka shkruar një letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ku ndër tjerash ia ka përmendur dialogun me Serbinë. Për ta diskutuar këtë dhe disa çështje tjera, Macron e ka ftuar Kurtin për vizitë në Paris, raporton Gazeta Express.

Macron ka vlerësuar se në vitet e fundit është bërë një përparim i rëndësishëm në dialogun me Serbinë. Ai ka shkruar se shpreson që Kurti ta vazhdojë dialogun, duke i ofruar mbështetjen e Francës.

“Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës”, ka shkruar ndër tjerash Macron. Këtu, ka thënë ai, duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë e cila duhet të ketë përparësi të menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj.

Presidenti francez i ka dhënë mbështetjen e tij Kurtit për të gjitha prioritetet për të mirën e kosovarëve.

Intervista – Krasniqi: Situatë e rënduar me COVID-19, mbi 80 për qind e pacientëve me oksigjenoterapi

Valbon Krasniqi – Drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës

 

Luljeta Krasniqi – Veseli

Numri i madh i rasteve të reja të të infektuarve me COVID-19 dhe rritja e numrit të të hospitalizuarve, kanë krijuar një situatë të rëndë në sistemin shëndetësor. Kapacitetet spitalore, pothuajse janë në limit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi.

Ai shton se mbi 80 për qind e pacientëve me COVID-19 të shtrirë në spitalet dhe klinikat e QKUK-së, po trajtohen me oksigjenoterapi.

Krasniqi, kërkon që të respektohen masat, siç është mbajtja e maskës, distanca fizike dhe higjiena personale. Sipas tij, nëse këto nuk japin rezultatin e vet, atëherë duhet të mendohet edhe për masa të tjera se si të ulet lakorja e të infektuarve.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Krasniqi, Kosova po shënon çdo ditë numër të lartë të rasteve të reja me COVID -19. Të mërkurën (31 mars) u shënuan katërmbëdhjetë viktima dhe 923 raste të reja me koronavirus. A është duke dalur jashtë kontrollit situata me pandeminë COVID-19?

Valbon Krasniqi: Në fakt, ky numër shënon numër rekord sa i përket rasteve të reja me të infektuar. Por, ne kemi më se tri javë si Kosovë që po shënojmë numër të madh të rasteve të reja të të infektuarve që po përcillet edhe me numër të madh të të hospitalizuarve. Kjo po tregon që masat nuk janë duke u respektuar dhe kjo po reflektohet në këtë numër të madh të rasteve të reja. Ne po bëjmë thirrje dhe po kërkojmë me ngulm që të respektohen masat që janë në fuqi, përndryshe, ky numër është jashtëzakonisht i madh dhe shumë shqetësues, kur kemi parasysh kapacitetet tona si sistem shëndetësor në përgjithësi.

Vaksinimi i një numri të madh të qytetarëve merr muaj të tërë

Radio Evropa e Lirë: Çfarë duhet të bëhet që të vihet nën kontroll përhapja e koronavirusit?

Valbon Krasniqi: Tash, bota dhe Kosova ka më shumë se një vit që po përballet me pandeminë COVID-19 dhe të gjithë ne e dimë që masat më të mira për parandalimin e përhapjes, janë ato që i kemi proklamuar tash e një vit: mbajtja e maskës, distanca fizike dhe higjiena personale.

Tani është fat që Kosova më në fund ka marrë dozat e para të vaksinës dhe ka filluar vaksinimi, fillimisht i punëtorëve shëndetësorë për të vazhduar pastaj me kategoritë sipas planit të vaksinimit, mirëpo derisa të bëhet vaksinimi i një mase të madhe të popullatës, ne duhet patjetër të respektojmë masat anti-COVID-19.

Jemi të vetëdijshëm që vaksinimi merr kohë dhe do të duhen disa muaj derisa të bëhet vaksinimi i një numri më të madh të qytetarëve tanë. Patjetër duhet ta ulim këtë lakore të të infektuarve, sepse tani seriozisht janë duke i rrezikuar kapacitet spitalore, të cilat janë buzë limitit.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë po ndikon në rritjen e numrit të rasteve me COVID-19?

Valbon Krasniqi: Çdo mosrespektim i masave do të reflektohet në rritjen e numrit të rasteve, grumbullimi në masë është faktor më i rëndësishëm në përhapjen e virusit. Pastaj mosmbajtja e maskës, mosmabjtja e distancës fizike, grumbullimet e çfarëdo natyre, duke filluar nga ato famijare deri te grumbullimi i lokaleve nëpër ambiente të ndryshme, rritë numrin e rasteve me COVID-19.

Nevojitet ulje e lakores së të infektuarve, po rrezikohen kapacitetet

Radio Evropa e Lirë: Nëse kapacitetet spitalore janë të stërngarkuara dhe numri i rasteve të reja është i lartë, a rekomandoni kufizimin e lëvizjes apo mbylljen?

Valbon Krasniqi: Sa i përket masave që kanë të bëjnë me shëndetin publik është IKSHPK-ja që të bëjë rekomandime. Ne si Shërbim Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, informojmë me kohë lidhur me kapacitetet tona dhe mundësitë tona. Një nga indikatorët ose treguesit më të mirë të situatës me pandeminë është edhe numri i të shtrirëve në spitale dhe numri i atyre që shënojnë forma të rënda të sëmundjes. Prandaj, duhet që të gjithë t’i marrin parasyshë këta faktorë, e para së gjithash faktorin e kapaciteteve spitalore, në mënyrë që të rekomandojnë masa të caktuara në përputhje me situatën në të cilën gjendemi.

Por, patjetër nevojitet respektimi i masave dhe nëse këto nuk japin rezultatin e vet, atëherë duhet të mendohet edhe për masa tjera se si ta ulim lakoren.

Pacientët me COVID zënë shtretërit e pacientëve me sëmundje tjera

Radio Evropa e Lirë: Edhe për sa pacientë ka kapacitete spitalore?

Valbon Krasniqi: Ne e kemi bërë të ditur që çdo pacient që shtrohet në spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së që tash i kemi shndërruar për COVID-19, kushtimisht ja zë vendin një pacienti tjetër. Ne jemi të shtrënguar që për çdo pacient që ka nevojë për hospitalizim, të bëjmë shtretër dhe të krijojmë hapësira, në mënyrë që të marrin trajtimin e duhur, por në të njëjtën kohë, ne një mënyrë cenojmë shërbimet tjera.

Tash të shtatë spitalet nga dy tre reparte i kanë të mbushura me pacientët me COVID-19, ndërkohë që në QKUK pesë klinika janë duke trajtuar raste me COVID-19: Klinika Infektive si klinikë primare, Klinika e Sëmundjes të Mushkërive në Dermatologji, Qendra Sportive dhe tash edhe klinikat e bllokut internistik, ndërkohë që rastet më të rënda i trajtojmë nëpër repratet e kujdesit intensiv.

Trajtimi me COVID në spitalet e QKUK-së

Radio Evropa e Lirë: Vazhdimisht po raportohet se numri i pacientëve edhe në spitale po rritet. Po raportohet edhe nga vet familjarë për mungesën e medikamenteve, madje edhe të gjërave tjera elementare të mjekësisë. Çka po mungon në këto klinika, aty ku po trajtohen të infektuarit me COVID-19?

Valbon Krasniqi: Sa i përket situatës, është e rënduar në kuptim të numrit të madh të pacientëve që i kemi të shtrirë dhe po ashtu të gjendjes së rënduar të tyre. Pothuajse, mbi 80 për qind e të hospitalizuarve po kërkojnë oksigjenoterapi dhe janë në oksigjenoterapi të vazhdueshme. Sa i përket medikamenteve, tash e kemi stabilizuar furnizimin me medikamente në masë të madhe, e në veçanti ato që janë bazike dhe që janë në udhërrëfyesin e protokollit klinik. Pothuajse të gjitha barnat në përjashtim të Remdesivirit dhe të një apo dy antibiotikëve, të tjerat janë të disponueshme në klinikat dhe spitalet e QKUK-së. Keni parasysh se këta pacientë, në veçanti të moshuarit, përveç COVID-19, kanë edhe sëmundje tjera dhe marrin edhe terapi tjetër dhe sigurisht që ato që nuk janë në lista kanë nevojë që t’i blejnë. Por, barnat të cilat përdoren për mjekimin e COVID-19, i kemi të siguruara, përveç atyre përjashtimeve që ju thash.

Radio Evropa e Lirë: Por, ka kritika që në dhomat e spitaleve mungojnë pajisjet. A ka problem me distribuim apo ku qëndron problemi?

Valbon Krasniqi: Unë mund të ju them që pajisjet e nevojshme ekzistojnë për pacinetët që trajtohen nga COVID-19, duke filluar nga ato më të domosdoshmet që përdoren në repartet e kujdesit intenziv siç janë ventilatorët apo respiratorët që i kemi në sasi të mjaftueshme, po ashtu, pajisjet tjera siç janë monitorët që përcjellin parametrat e pacientëve. Kemi në dispozicion oksigjen. Tani e kemi zgjedhur këtë problem me instalimin dhe shtrirjen e rrjetit të oksigjenit. Kemi rritur kapacitetet e shtertërve që janë të lidhur direkt me oksigjen, po ashtu edhe pajisjet tjera. Kemi rentgena mobil në të gjitha klinikat. Po ashtu bëhen analizat siç është edhe D- Dimer. Qëndrojmë jashtëzakonisht mirë sa i përket pajisjeve dhe kjo falë bashkëpunimit të mirë që kemi pasur me donatorët.

Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të fillojë vaksinimi i qytetarëve?

Valbon Krasniqi: Ne po presim që të vijnë edhe vaksinat tjera. Për informata më të sakta mund të kontaktoni Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Por, ne do të donim që kjo të ndodh sa më parë që të jetë e mundur.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës apelon që të priten ftesat për vaksinim

Kosova ka pranuar dozat e para të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit më 28 mars, 2021.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u bëri thirrje personave të moshës mbi 80 vjeç dhe atyre me sëmundje kronike, që të mos iu drejtohen qendrave të vaksinimit kundër koronavirusit, para se të marrin ftesën për marrje të vaksinës.

Kosova nisi të hënën fushatën e imunizimit kundër koronavirusit. Kryeministri Albin Kurti e mori i pari vaksinën AstraZeneca për t’i inkurajuar, siç tha, edhe të tjerët që të vaksinohen.

Sipas planit shtetëror të vaksinimit, përparësi në imunizim kanë profesionistët shëndetësorë, ndërsa pas tyre personat mbi 80 vjeç dhe ata me sëmundje kronike.

“Personat e moshuar dhe ata me sëmundje kronike do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit në çdo komunë për t’u vaksinuar, sipas listave të siguruara nga institucionet e vendit, derisa për t’u siguruar përfshirja e plotë e tyre në lista, gjatë ditës së nesërme, në dispozicion të qytetarëve do të jetë edhe një platformë elektronike, krahas regjistrimit klasik”, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook.

Kosova ka pranuar të dielën 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Në Federatën e Sindikalistëve të Shëndetësisë në Kosovë kanë shprehur më herët dyshime se vaksinimi i qytetarëve do të mund të realizohet në mënyrë të drejtë, sidomos kur është fjala për personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

Kryetari i kësaj Federate, Blerim Syla, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka statistika të detajuara shëndetësore për grupet e rrezikuara, pasi, sipas tij, Sistemi i Informimit Shëndetësor nuk funksionin siç duhet.

Sistemi i Informimit Shëndetësor bën gjenerimin, përpilimin, analizimin, komunikimin dhe përdorimin e të dhënave për sektorin publik dhe privat shëndetësor.

Në një deklartarë dërguar Radios Evropa e Lirë më 22 mars nga Zyra për Informim e Ministrisë se Shëndetësisë kanë pranuar se Sistemi i Informimit Shëndetësor nuk është krejtësisht funksional, por, siç kanë thënë, ka disa module të tij, që gjenerojnë të dhëna të ndryshme për shëndetësinë.

Kurti merr vaksinën kundër koronavirusit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori të hënën dozën e parë të vaksinës kundër koronavirusit.

Kurti u vaksinua me AstraZeneca në Sallën 1 Tetori në Prishtinë.

Në një adresim të shkurtër para mediave, ai tha se me këtë veprim dëshiron t’i inkurajojë edhe qytetarët e tjerë që të vaksinohen dhe “t’i heqin dilemat ndaj vaksinimit”

“Zgjidhja e pandemisë është vaksinimi i popullsisë”, tha Kurti, për të shtuar se fillimisht do të vaksinohen personeli mjekësor dhe të moshuarit, e pastaj të tjerët.

Derisa u bëri thirrje qytetarëve që të veshin maska dhe të respektojnë distancën sociale, Kurti tha se Kosova do të sigurojë edhe më shumë vaksina dhe se do të përpiqet të vaksinojë sa më shumë qytetarë.

AstraZeneca, si shumica e vaksinave të zhvilluara në Perëndim, jepet në dy doza, me një diferencë kohore prej tri javësh.

Kosova, të dielën mbrëma, ka pranuar 24,000 doza të kësaj vaksine.

Këto dërgesa, të parat për Kosovën, janë siguruar nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili synon furnizimin me vaksina të vendeve në zhvillim.

Fushata e vaksinimit në Kosovë pritet të nisë të martën.

Kosova ka regjistruar mbi 88,000 raste me koronavirus. Aktualisht, aktive janë mbi 13,000. rel

Kosnett kërkon rol konstruktiv të partive për zgjedhjen e presidentit

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett ka theksuar rëndësinë që Kosova të zgjedhë Presidentin e ri, duke përmbyllur kështu konstituimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të parakohshme që janë mbajtur më 14 shkurt.

“Kosnett ka theksuar nevojën për rol konstruktiv të të gjitha forcave politike në vend përgjatë këtij procesi, duke pasur parasysh interesin shtetëror para atij politik e partiak”, thuhet në një njoftim të zyrës së Presidentit të Kosovës, pas takimit që ka pasur ushtruesi i detyrës së presidentit, Glauk Konjufca me ambasadorin Kosnett.

Kandidate për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje duke fituar mbi 300 mijë vota.

Mirëpo, deri më tash nuk dihet ende nëse janë siguruar votat apo edhe kuorumi në kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Në njoftim thuhet se Konjufca, gjatë takimit, vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit edhe të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet të të dy shteteve.

Ai poashtu ka potencuar rëndësinë e stabilitetit institucional dhe konstituimit sa më të shpejtë të të gjitha institucioneve, si parakusht për zhvillim të proceseve me rëndësi për vendin. rel

Ambasada në Izrael, pa ndikim në raportet ekonomike Kosovë-Turqi

Nadie Ahmeti

Faktorët joekonomikë nuk duhet të ndikojnë në marrëdhëniet e qëndrueshme ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë të Odës Tregtare Kosovare-Turke.

“Pavarësisht faktorëve të tjerë, midis Kosovës dhe Turqisë janë duke u zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme ekonomike. Shpresojmë se këto marrëdhënie të forta ekonomike nuk do të ndikohen nga faktorë joekonomikë”, thuhet në përgjigje.

Përgjigjja pason deklarimet e mëhershme të Ambasada turke në Prishtinë, ku kanë thënë se Turqia e kundërshton hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem të Izraelit.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan më 25 mars i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të rishikojë çështjen e hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Turqia vazhdon të mbetet një ndër partneret më të mëdha tregtare, me prezencë të investimeve direkt dhe importit të produkteve në Kosovë.

Mbi 435 milionë euro investime, zero remitenca

Vlera e investimeve në 15 vjetët e fundit nga shteti i Turqisë në Kosovë arritën në mbi 435.6 milionë euro, thuhet në të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës. Kurse nga ky shtet nuk ka remitenca.

Kompania “Infinit”, që gjendet në qytetin e Prizrenit, importon ujë me shije të ndryshme si dhe pije alkoolike dhe joalkoolike nga shteti i Turqisë. Mentor Çollaku, menaxher i marketingut në këtë kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se kanë marrëdhënie të mira me kompanitë turke.

“Ne do të vazhdojmë biznesin, nuk kemi hasur në ndonjë problem në aspektin ekonomik. Produktet turke janë të kërkuara në tregun vendor”, tha ai.

Gjatë dy vjetëve të fundit (2019-2020), rreth 840 milionë euro ka arritur vlera e mallrave të importuara nga shteti i Turqisë në Kosovë. Ndërkaq, Kosova në Turqi ka eksportuar rreth 20 milionë euro.

Turqia, partnere strategjike e Kosovës

Edhe profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu shprehet se Turqia ka qenë, është dhe duhet të jetë partnere strategjike e Kosovës me një qasje pozitive. Kosova, thotë ai, është produkt i diplomacisë ndërkombëtare dhe në këtë drejtim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane kanë dhënë kontribut të pakontestuar në formimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ku nuk duhet të mohohet edhe kontributi i Turqisë, dhënë në forma të ndryshme.

Shteti i Turqisë është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën, pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008.

Kosova zyrtarisht ka hapur Ambasadën e saj në Jerusalem, më 14 mars. Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem u parapa në Marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Para se të hapej Ambasada në Jerusalem, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kishte porositur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë kryeministër i Kosovës, Albin Kurtin që “do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”.

Gërxhaliu: Turqia duhet të tregojë mirëkuptim

Gërxhaliu shprehet se shteti i Izraelit ka vendosur për vendin se ku do të vendoset Ambasada e Kosovës dhe se për këtë gjë, Turqia duhet të tregojë mirëkuptim.

“Nëse do të vijë deri te ftohja e raporteve në relacionin Turqi- Kosovë, atëherë besoj se shumë më tepër do të humbë Turqia sesa Kosova. E them këtë bazuar në faktin se Turqia është një partnere strategjike për shitje të produkteve të veta në Kosovë. Turqia është një ndër investitorët e shumtë në aspektin financiar në Kosovë, këtu duhet të përmendet edhe aspekti i energjetikës dhe aviacionit. Pra, mendoj se në këtë moment Turqia duhet të solidarizohet me Kosovën”, thekson Gërxhaliu.

Gërxhaliu shton se Ankaraja zyrtare duhet të jetë e matur me veprime sepse produktet turke zënë hapësirë të madhe në tregun e Kosovës.

“Mua më gëzon fakti se Turqia ekonomikisht po shtrihet në vendet e rajonit, por në Kosovë ka dhënë kontribut të madh në ndërtimin, restaurimin e xhamive, restaurimin e hamameve. Ndërkaq në vendet e rajonit ka bërë investime direkte, ka krijuar vende të reja të punës, ka përmirësuar strukturën e eksportit dhe bilancin e pagesave. Unë mendojë se edhe në Kosovë në këtë mënyrë duhet të sillet”, shprehet Gërxhaliu.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, 1.402 është numri i bizneseve nga Turqia që operojnë në tregun e Kosovës. Bizneset e regjistruara janë më së shumti në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Kompanitë turke në Kosovë

Në Kosovë disa nga kompanitë me kapitalin më të madh janë kompani turke.

Konsorciumi turko-francez, Limak–Aeroport de Lyon, në vitin 2010 ka marrë me koncesion për 20 vjet Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në vitin 2012, konsorciumi turk Limak–Çalik privatizoi rrjetin kosovar të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, KEDS. Po ashtu, në Kosovë operojnë dy banka turke: TEB banka dhe ISBANK.

Bechtel-Enka, konsorciumi amerikano-turk, ka bërë ndërtimin e dy autostradave, atë që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me një vlerë mbi 1.6 miliard euro.

Edhe një numër i institucioneve arsimore funksionojnë në Kosovë nga investimet turke.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, qeveritë e të dy shteteve kanë nënshkruar 43 marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi, si në fushën e ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.

Çka shkroi Kurti në librin e kujtimeve për Cimën

Kryeministri Albin Kurti, ka bërë homazhe në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në nderim të artistit Rasim Thaçi – Cima.

Kurti ka thënë se vdekja e Cimës “përveç që ishte e parakohshme, na ngjan edhe e pabesueshme.”

“Jemi rritur si fëmijë me Cimën, vetëm kur u rritëm e nuk ishim fëmijë e morëm vesh që quhej Rasim Thaçi. Neve tani na duhet ta zvogëlojmë dhimbjen, duke e ndarë me njëri-tjetrin. Ai ka qenë gjithmonë i gëzuar. Për shkak të kësaj mënyrë të jetesës së tij, vdekja e tij përveç e parakohshme, na ngjan edhe e pabesueshme. Sot vendosëm lule të freskëta, për këtë lamtumirë të fundit, kur ne përkulemi me nderime për Rasim Thaçin”, tha Kurti para mediave.

E të njejtat fjalë për Cimën i ka shkruar edhe në librin e kujtimeve.

Kurti bëri homazhe bashkë me u.d të presidentit, Glauk Konjufcën dhe Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çekun.

Arben Gashi: LDK-ja ende nuk ka qëndrim për Vjosa Osmanin

Arton Konushevci

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim të prerë se si do të veprojë me rastin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Këtë e konfirmoj për Radion Evropa e Lirë Arben Gashi, anëtarë i kryesisë së LDK-së.

“Ende nuk ka një vendim dhe nuk mund të them asgjë”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi të premtën se Kuvendi i Kosovës do të kryej edhe hapin e tretë për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

I pyetur nga gazetarë pse gjatë kësaj jave nuk është thirrur seanca për zgjedhjen e presidenti, Kurti ka deklaruar se edhe kjo çështje do të kryhet.

Menjëherë pasi mori besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë se re të Kosovës, kryeministri, Kurti, pati deklaruar se brenda javës do të zgjidhet edhe presidentja e re e Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës do të thirret pas zëvendësimit të të gjithë deputetëve, të cilët u emëruan në poste qeveritare. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e bëri zëvendësimin më 24 mars.

Kandidate për postin e presidentit është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje duke fituar mbi 300 mijë vota.

Mirëpo, deri më tash nuk dihet ende nëse janë siguruar votat apo edhe kuorumi në kuvend për zgjedhjen e presidentit.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as qeverinë Kurti 2.

Pak ditë më parë, kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas një takimi që ka zhvilluar [të mërkurën] me Vjosa Osmanin, ka deklaruar se subjektit të tij politik i duhet ende kohë për të marrë një vendim përfundimtar.

Analisti dhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, thotë se angazhimi i partive politike për zgjidhjen e presidentes/it duhet të orientohet në brendësi të vlerave politike, shumë më shumë se sa arsyet ose efektet e tjera që mund të prodhojmë mundësinë e shkuarjes në zgjedhje.

“Krizat institucionale e partiake që ka kaluar Kosova në vitet e fundit, tash edhe pandemia COVID-19, prioritetet që presin adresim institucional i bëjnë të domosdoshme dhe të nevojshme veprimet politike për tejkalimin e udhëkryqit mes funksionalitetit dhe jo funksionalitetit të demokracisë kosovare”, tha Kryeziu.

Sipas Kryeziut, partitë politike s’janë të themeluara vetëm për pjesëmarrje në zgjedhje, por siç thotë ai, për marrje të përgjegjësisë politike konform vullnetit qytetarë të shprehur në zgjedhje.

“Të gjitha subjektet politike parlamentare kanë përgjegjësi të ofrojnë vlerat e tyre drejt një konsensusi politik dhe të shmangin konfrontimet partiake e individuale, të cilat s’po mund ta nxjerrin shtetin e Kosovës nga ky cikël i zgjedhjeve të njëpasnjëshme. Sikurse të jenë zgjedhjet qëllimi politik dhe jo marrja e përgjegjësive dhe kontributi politika e programor në udhëheqjen e vendit”, deklaroi Kryeziu.

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votave të Kuvendit të Kosovës prej 120 deputetësh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 votash, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

I shpëtoi masakrës në Krushë të Madhe duke qëndruar pesë ditë e pesë net në tavanin e një shtëpie

Sot janë bërë 22 vjet nga masakra më famëkeqe e serbëve mbi kosovarët në Krushë të Madhe, ku u vranë 243 shqiptarë, shumë prej të cilëve ende nuk janë gjetur.

Në nderë të viktimave, shumë politikanë e kanë përkujtuar këtë masakër përmes reagimeve që kanë bërë nëpër rrjetet sociale.

Megjithatë, përveç tyre, ka nga ata edhe që i mbijetuan një momenti të tillë tragjik, rrëfimin e njërit prej të cilëve mund ta dëgjoni në intervistën e zhvilluar me Tefik Rexhepin.

Kurti kërkon nga AKP-ja të pezullojë vendimet për privatizim, shitje dhe qiradhënie

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kërkuar Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) që të pezullojë çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me ndërmarrjet shoqërore siç janë qiradhëniet apo shitjet pa tender publik.

“Ashtu siç jeni në dijeni, Qeveria e re e ka filluar punën këtë javë dhe programin tonë qeverisës do ta hartojmë së shpejti. Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionon e AKP-së”, është thënë në letrën që Kurti u ka dërguar këtyre zyrtarëve.

Në mbledhjen e 25 marsit, në agjendë të AKP-së, kanë qenë një mori pikash duke përfshirë qiradhënie, shitje dhe çështje tjera të likuidimit.

Takimi i së enjtes është zhvilluar pavarësisht pse AKP-ja kishte njoftuar më 23 shkurt se pas mbajtjes së disa takimeve mes anëtarëve të menaxhmentit të këtij institucioni, kishte marrë vendim që të mos vazhdonte me valët e shitjeve deri në krijim të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt.

“AKP, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale sipas mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke respektuar në plotësisht kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante”, pati thënë Agjencia në njoftim.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së dhe formimin e një institucioni të ri për çështje të privatizimit. rel

Kurti: Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë

Kryeministri Albin Kurti, me anë të një statusi në Facebook ka kujtuar përvjetorin e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë.

Kurti ka kujtuar nisjen e ndërhyrjes humanitare të NATO’s në Kosovë e cila ndaloi spastrimin etnik dhe gjenocidin mbi kombin shqiptar.

“Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb. Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës“, shkroi Kurti në Facebook.

“Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë”, ka shtuar tutje Kurti.

“Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë”, përfundoi Kurti. /Express/

Qëndrimi i LDK-së për çështjen e presidentit, Vjosa Osmani takohet sot me Lumir Abdixhikun

Kryetari i LDKsë, Lumir Abdixhiku do të takohet sot me kandidaten për presidente të Kosovës, Vjosa Osmani.

Gazeta Express ka raportuar mbrëmë se takimi do të ndodhë në orën 14:00.
LDK-ja, që nuk e ka votuar Qeverinë e Albin Kurtit e as Glauk Konjufcën si kryeparlamentar, ka premtuar qëndrim konstruktiv për çështjen e presidentit.

Vjosa Osmani dhe Albin Kurti kanë takuar në takime të ndara krerët e subjekteve politike, derisa AAK-ja e PDK-ja tashmë kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kryetaren e Listës “GUXO” si kandidate për presidente.

Dyshja që i fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit po del të ketë telashe edhe me Listën Serbe, pasi ky subjekt mori vetëm një ministri.

Lista Serbe është ankuar dhe ka thënë se do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese e tashmë është diskutabile nëse të njëjtët do të pranonin të qëndronin në sallë apo ta votonin Osmanin për karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Se a do të pranonte LDK-ja që të votonte për Osmanin ka treguar edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në T7, ai ka thënë se bisedat për këtë temë do t’i qartësojnë me kandidaten për presidente, teksa shtoi se po kërkohet votë vetëm për pjesëmarrje në seancë.

“Nuk po kërkohet votë për president. Duhet të merret vetëm pjesë në votim. Diskursi politik është që po kërkohet pjesëmarrje e 80 deputetëve”, ka deklaruar Haziri.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani, që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn. Megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk i arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet, sipas Kushtetutës, në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Kosovë: Dy të dënuar për krime lufte

Edlira Bllaca

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të martën dy persona, një serb dhe një shqiptar me mbi 21 vjet heqje lirie, për krime të kryera gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Zllatan Kërstiç, u dënua me 14 vjet e 6 muaj heqje lirie, ndërkaq Destan Shabani është dënuar me 7 vjet heqje lirie, për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Zllatan Kërstiç me 26 mars 1999, në fshatin Nerodime e Epërme, të komunës së Ferizajt, “kishte marrë pjesë drejtpërdrejtë në sulm kundër popullatës civile shqiptare, më saktë në dëbimin e 15 anëtarëve të një familjeje dhe marrjen peng të 4 personave që nuk ishin pjesë aktive e luftës”.

“Kërstiç ka marrë pjesë nё maltretime, torturime, gjymtime dhe nё vrasjen me armё zjarri tё viktimave, madje duke i hedhur skaj rrugës kufomat e viktimave me qëllim tё fshehjes sё krimit”, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa Destan Shabani u dënua nën akzuën se si pjesë e forcave policore serbe, me 1 prill të vitit 1999, në cilësinë e inspektorit policor, ka urdhëruar që trupat e pajetë të pesë personave të vrarë gjatë luftës “të varrosen pa dinjitet dhe në kundërshtim me rregullat e luftës të përcaktuara me të drejtën humanitare ndërkombëtare”.

“Ai po ashtu kishte urdhëruar një person me emrin Maksut që me ekskavator të hapte një gropë me qëllim që në të hidheshin trupat”, thuhet në aktakuzë.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare, që mori fund 22 vjet më parë më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës, pjesa më e madhe e të cilëve të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare, deri tani 67 veta janë dënuar me vendim të prerë për krime lufte në Kosovë nga Gjykata për krime lufte në Hapësirat e ish Jugosllavisë dhe gjykatat në Kosovë dhe Serbi.

Prej tyre 39 janë shqiptarë, 26 serbë dhe 2 pjesëtarë të komunitetit rom.

Kryeministri Kurti mbledh qeverinë e re

VOA

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, mori të martën detyrën nga ish kryeministri Avdullah Hoti në një ceremoni pranim dorëzimi, një ditë pasi që parlamenti me 67 vota miratoi qeverinë e drejtuar nga lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Zoti Kurti mblodhi menjëherë qeverinë e re me 3 zëvendëskryeministra e 15 ministra e cila do të përballet me e cila do të përballet me problemet e rimëkëmbjes ekonomike, luftën kundër pandemisë së COVID-10, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Ndonëse nuk e ka cilësuar si një nga përparësitë kryesore, një nga sfidat që e presin qeverinë e zotit Kurti është rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Të hënën ai tha se bisedimet duhet të përqendrohen në zgjidhjen e problmeeve ekzistuese dhe jo krijimin e problemeve të reja.

Formimi i qeverisë së tij u përgëzua nga diplomatët perëndimor.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, duke uruar zotin Kurti, shprehu gatishmërinë që të punojë “së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe çka është më emergjente për mposhtjen e pandemisë së COVID-19″.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre, vunë theksin te rëndësia e vazhdimit të bisedimeve Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

“Presim që të punojmë së bashku për të siguruar një përmbyllje të suksesshme të bisedimeve Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane. BE-ja mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, shkroi ë rrjetet sociale shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Zoti Kurti, 46 vjeçar, qe zgjedhur kryeministër në qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës në shkurt të vitit 2020, pas zgjedhjeve të tetorit të vitit 2019.

Qeveria e tij u bë qeveria më jetëshkurtër në Kosovën e pasluftës. Përballja me pandeminë e COVID-19, dallimet rreth qasjes së institucioneve ndaj saj dhe posaçërisht mospajtimet rreth qasjes ndaj bisedimeve me Serbinë, u shndërruan në shkas lufte politike dhe më 25 mars ajo u rrëzua më një mocion mosbesimi të ngritur nga Lidhja Demokratike.

Tani mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë më postin e presidentit zgjedhja e të cilit duhet të përmbyllet në fillim të muajit të ardhshëm.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Partia Demokratike me 19 deputetë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 syresh, kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike që ka 15 vende, ka paralajmëruar bisedime me zonjën Osmani para se të marrë një vendim.

Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.

Të martën ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës krahas urimeve për qeverinë e re u bënë thirrje partive politike “të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën.

Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të ambasadorëve të pesë vendeve kryesore perëndimore.

 

Këta 12 deputetë do t’i zëvendësojnë anëtarët e kabinetit qeveritar në Kuvend

Eugen Cakolli nga KDI ka zbuluar emrat e deputetëve të rinj që do të fitojnë mandat në Kuvend duke zëvendësuar anëtarët e kabinetit Qeveritar, raporton Gazeta Express.

Cakolli në Facebook ka shkruar se me votimin e djeshëm të Qeverisë ‘Kurti 2’, janë plot 12 anëtarë të kabinetit ekzekutiv që tashmë kanë humbur mandatin e deputetit.

 

“Për zëvendësimin e tyre, Kryetari i Kuvendit do t’i bëjë praktikisht kërkesë vetes si U.D. i Presidentit, që të mbushë ulëset e mbetura të zbrazëta.  Pastaj, në cilësinë e U.D. të Presidentit, Glauk Konjufca do të kërkojë nga KQZ-ja që të rekomandojë emrat e kandidatëve në radhë me numrin më të madh të votave. KQZ-ja ka afat pesë ditë, që nga pranimi i kërkesës, për të kthyer përgjigje me emrat e ligjshëm të kandidatëve në radhë – të cilët duhet që në seancën e radhës të Kuvendit të japin betimin e tyre”, ka thënë i njejti.

Cakolli ka shkruar edhe emrat e ministrave dhe deputetëve që do të zëvendësohen në Kuvend.

Kandidatët për deputetë që do të zëvendësojnë tashmë ministrat e Qeverisë ‘Kurti 2’ janë:

Donika Gërvalla-Schwarz – Shqipe Isufi

Arben Vitia – Enver Haliti

Hekuran Murati – Mirsad Shkreta

Faton Peci – Gramos Agusholli

Liburn Aliu – Alban Bajrami

Arbërije Nagavci – Yllza Hoti

Hajrulla Çeko – Jahja Kokaj

Rozeta Hajdari – Gresa Bytyqi Kelmendi

Xhelal Sveçla – Hydajet Hyseni Kaloshi

Fikrim Damka – Enis Kervan

Elbert Krasniqi – Fridon Lala

Emilija Redžepi – Samra Ilijazi

Kurti merr detyrën e kryeministrit

Foto nga ceremonia e pranimit të postit të kryeministrit.

Me ceremoni shtetërore, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, mori detyrën e re. Detyrën ia dorëzoi kryeministri i deritanishëm i Kosovës, Avdullah Hoti.

Qeveria e Albin Kurtit më 22 mars mori besimin e 67 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti ekzekutivin e ri e ka formuar me partitë e komuniteteve joserbe. Qeveria e tij ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri, pesë prej të cilave do të udhëhiqen nga gra.

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti – partia e të cilit ka fituar 50.28 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit – ka thënë se sfida kryesore e qeverisë së tij do të jetë vënia nën kontroll e pandemisë së koronavirusit. Ai ka thënë se synon që të sigurojë vaksina të mjaftueshme për të imunizuar 60 për qind të popullatës kundër COVID-19.

Kurti po mban postin e kryeministër për herë të dytë, pasi në shkurtin e vitit të kaluar ai u zgjodh për herë të parë në këtë post. Por, partnerja e atëhershme e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, e rrëzoi Qeverinë Kurti dhe udhëheqjen e qeverisë e mori Avdullah Hoti.

Por, Gjykata Kushtetuese fundvitin e kaluar tha se Qeveria Hoti ishte jolegjitime, pasi për të kishte votuar një deputet, që kishte qenë i dënuar me vendim të formës së prerë në tre vjetët e fundit.

Institucionet e reja të Kosovës, kuvendi dhe qeveria e re, u formuan më 22 mars, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Sfida e radhës për partinë e Kurtit është që të zgjedhë edhe presidentin e ri të vendit. Për këtë post, kjo parti ka nominuar Vjosa Osmanin.

Por, Osmani nuk po përkrahet nga partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk e ka bërë të qartë nëse do ta votojë ose jo Osmanin për një mandat pesëvjeçar në krye të shtetit.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Që nga 5 nëntori deri më 22 mars, këtë post e ushtroi Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Konjufca i kërkon Vetëvendosjes mandatarin për kryeministër

U.d. Presidenti i Kosovës, Glauk Konjufca ka kërkuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryeministër, raporton Gazeta Express.

U.d. Presidenti i Kosovës, Glauk Konjuca, duke u mbështetur në nenet 84 (14) dhe 95 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit ta propozojë mandatarin për Kryeministër.

 

Në letër, u.d. Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.

Gjesti i veçantë në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputetet e shumicës qeverisëse të veshura me uniforma të bardha

KOSOVA

Gratë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Listës ‘’GUXO’’ të Vjosa Osmanit kanë pikasur në seancën konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës.

Ato janë veshur të gjitha me uniformë të bardhë. Dita e sotme në Kosovë karakterizohet nga dëbora që e ka zbardhur gjithë Prishtinën, por përfaqësues të Vetëvendosjes dhe Listës ‘’GUXO’’ e kanë konsideruar si ‘’Ditë të Bardhë’’ për vendin.

Sot pritet të formohet dhe qeveria Kurti ll në rast se votohet.

Konjufca bëhet President në detyrë i Kosovës: Osmani e kreu detyrën me përgjegjësi të lartë

KOSOVA

Glauk Konjufca do të jetë President në detyrë i Kosovës deri në zgjedhjen e të riut.

Ai u zgjodh pak më herët kryetar i parlamentit të Kosovës dhe tashmë Kushtetuta ia obligon që në mungesë të një Presidenti të zërë vendin e përkohshëm.

Vjosa Osmani ia dorëzoi detyrën Konjufcës ndërkohë që ky i fundit ia njohu meritat për kryerjen e detyrës me përgjegjësi të lartë.

“E falenderoj zonjën Vjosa Osmani. E ka kryer me përgjegjësi të lartë detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes. Zonja Osmani keni dhënë shembull të shkëlqyeshëm në politikë. Mua më vjen mirë që pas zgjedhjes së kryeisë së Kuvendit është hapur rruga e zgjedhjes së institucioneve të reja, edhe me juve si presidente, ku ju uroj suksese.’’- tha Konjufca.

Abdixhiku: Arben Gashi do të jetë kryetar i grupit parlamentar, Kujtim Shala nënkryetar i Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur sot nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë, Shefin e Grupit Parlamentar dhe sekretarin organizativ, shkruan Gazeta Express.

Kryetari i ri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se Arben Gashi do të jetë Shef i Grupit Parlamentar të kësaj partie, ndërsa Kujtim Shala do të jetë nënkryetar i Kuvendit.
“Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së do të jetë Arben Gashi, ndërsa Kujtim Shala do të jetë nënkryetar i Kuvendit”, ka thënë ai.

Në pozitat e nënkryetarëve janë emëruar Anton Quni, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi, derisa Imri Ahmeti është zgjedhur në pozitën e Sekretarit.

Ndërkohë janë zgjedhur edhe anëtarët e rinj të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në listën e personave që janë zgjedhur si anëtarë të kryesisë së re të LDK’së mungojnë emra të disa prej figurave të vjetëra të LDK’së, siç janë: Agim Veliu, Haki Rugova, Ismet Beqiri, Muharrem Svarqa, Skënder Hyseni, Arban Abrashi, Naser Osmani e Florian Dushi.

Jashtë ka mbetur edhe kreu i Degës së LDK’së në Dragash, Selim Kryeziu.

Agim Veliu, Haki Rugova nuk janë zgjedhur as nënkryetarë tashmë që partia është nën drejtimin e Isa Mustafës.

Kjo është kryesia që zgjodhi sot LDK

LDK-ja ka zgjedhur kryesinë e re të partisë, ku emra të rinj janë tashmë anëtarë të kryesisë.

Kjo është lista e kryesisë së re të LDK-së, ku përfshihen, kryetari, tre nënkryetarët, sekretari organizativ, kryetarja e forumit të gruas dhe kryetari i forumit të ri.

Kryetar Lumir Abdixhiku

Nënkryetar: Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri, Anton Quni si dhe Shqipe Mjekiqi

Sekretar: Imri Ahmeti

Anëtarë:

Kujtim Shala

Avdullah Hoti

Hykmete Bajrami

Arben Gashi

Armend Zemaj

Sibel Halimi

Doruntinë Maloku

Ekrem Hyseni

Ardian Shala

Xhafer Tahiri

Alban Zogaj

Vlora Dumoshi

Safet Kamberi

Brikenda Kryeziu

Fadil Krasniqi

Sokol Haliti

Teuta Sahatqija

Valon Murtezaj

Besian Mustafa

Lutfi Zharku

Muhamet Hamiti

Faton Bislimi

Rrezarta Krasniqi

Ilir Ferati

Besa Gaxherri

Kryetare e Forumit të Gruas: Lirije Kajtazi

Forumit Rinor: Fidan Rekaliu

Kush është Shqipe Mjekiqi, nënkryetarja e re e LDK-së

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës sot ka aprovuar me shumicë votash propozimin e Lumir Abdixhikut për emërimin e nënkryetarëve të rinj të partisë dhe sekretarit organizativ.

Anton Quni, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri dhe Shqipe Mjekiq janë zgjedhur nënkryetarë derisa Imri Ahemti në pozitën e sekretarit organizativ.
Por kush është Shqipe Mjekiqi nënkryetarja e re në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Mjekiqi është e lindur më 10 mars të vitit 1985, Prishtinë.

Siç mëson Gazeta Express ajo ka qenë këshilltare e Fatmir Sejdiut gjatë kohës sa ka qenë president i Kosovës dhe këshilltare e Skënder Hysenit gjatë kohës sa ky i fundit ka drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Mjekiqi siç ka treguar edhe në profilin e saj zyrtar në ‘facebook’, ka studiuar për shkenca politike në Kolegjin e Triniti në Dublin dhe në universitetin e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Sociale.

Ajo aktualisht është ligjëruese në një universitet privat në Kosovë dhe përveç gjuhës shqipe flet rrjedhshëm gjuhën angleze dhe komunikon në gjuhët frënge, italiane, spanjishte, dhe serbo-kroate.

Anton Quni, Gazmend Muhaxheri e Lutfi Haziri zgjidhen nënkryetarë të LDK-së

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka njoftuar se Anton Quni, Gazmend Muhaxheri, Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi janë katër nënkryetarët e rinj të LDK-së, shkruan Gazeta Express.

“Nënkryetarë janë: Anton Quni, Gazmend Muhaxheri Lutfi Haziri dhe Shqipe Mjekiqi”, ka thënë ai.

Në ndërkohë Imri Ahmeti është zgjedhur sekretar organizativ i kësaj partie.

Sot Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka vendosur edhe për emrat e Kryesisë së partisë.

Këta emra pritet që të bëhen publik sot gjatë ditës.

Fuqia e Listës Serbe rezultat i mosmarrëveshjeve të partive shqiptare

Bekim Bislimi

Fuqia e Listës Serbe për të ndikuar proceset politike në Kosovë, do të varet nga raportet ndërmjet subjekteve politike shqiptare dhe qasjes së tyre për formimin e përbërjeve të reja të institucioneve të larta të vendit, vlerëson Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica.

Se cila do të jetë fuqia e Listës Serbe për të arritur qëllimet në kuadër të institucioneve të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të varet nga ndarja e resorëve dhe përbërja e qeverisë së ardhshme, thotë Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”.

Më 16 mars, përfaqësuesit e Listës Serbe janë takuar me ushtruesen e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pretendon një mandat të plotë në këtë pozitë, si dhe me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është kandidati i kësaj partie për kryeministër të vendit.

Pas takimit, Lista Serbe nuk ka precizuar nëse deputetët e saj, të cilët kanë siguruar të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në kuvend, do ta votojnë ose jo qeverinë apo presidentin e ri.

Pas takimit me Kurtin dhe Osmanin, përmes një njoftimi për media, Lista Serbe ka thënë se si përfaqësuese legjitime e komunitetit serb, është e “gatshme për konsultime dhe bisedime me qëllim të avancimit të kushteve në të cilat jetojnë serbët në Kosovë dhe se të gjitha partitë e tjera, që ndajnë këto qëndrime, do ta kenë Listën Serbe për bashkëbiseduese”.

Gjatë qeverisjes së kaluar të Kurtit, e cila zgjati 50 ditë, Lista Serbe pati marrë një ministri, e cila i garantohej me kushtetutë, por ajo nuk ishte pjesë e koalicionit qeverisës.

Zgjedhja e presidentit, rast për imponime nga Lista Serbe

Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar për deputete në kuadër të Iniciativës qytetare “Për liri”, por nuk ka arritur të bëhet deputete. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e Listës Serbe për ta shtuar ndikimin e saj politik në institucionet e Kosovës, janë parë pikërisht gjatë zgjedhjeve. Një gjë e tillë është faktuar, siç thotë ajo, edhe me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe të Gjykatës Supreme, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Sipas saj, Lista Serbe është përpjekur që përmes votave të orkestruara të serbëve në komunat ku ata janë shumicë në Kosovë, të sigurojë mandate për deputetë për subjektet politike të komuniteteve tjera joshumicë, në mënyrë që më pas të ketë lojalitetin e tyre në, siç e quan ajo, “lojën me numra”, në kohën kur do të zgjedhet presidenti i vendit. Por, sipas saj, fuqia e Listës Serbe mund ta ketë shtratin tek mosmarrëveshjet ndërmjet subjekteve politike shqiptare.

“Në qoftë se partitë shqiptare do të bëjnë shantazhe gjatë zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe në qoftë se atë hapësirë e shfrytëzon Lista Serbe, që përmes votave të saj të përmbushë disa kuota për zgjedhjen e presidentit, si dhe në këtë mënyrë të nxjerrë përfitime për vete, atëherë kjo është çështje për zotëri Kurtin. Pra, a do ta pranojnë ai dhe zonja Osmani këtë apo do të shkojnë drejt asaj që me pakicat tjera dhe partitë shqiptare të gjejnë kompromis për kompletimin e institucioneve të Kosovës”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se për mendimin e saj, do të ishte mirë dhe e dëshirueshme që në krye të institucioneve të vendit, qoftë në presidencë, qoftë në krye të qeverisë, të vijnë njerëz që nuk kanë qenë më herët në pushtet dhe ndaj të cilëve nuk mund të bëhet shantazh. Të tillët, sipas saj, nuk do të lejonin ndikime në zhvillimet politike në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të cilit, siç thotë ajo, “është duke i perënduar karriera politike”.

Petroniq: Lista Serbe e gatshme për bashkëpunim

Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga bisedat që Lista Serbe ka pasur me Kurtin dhe Osmanin, nuk janë specifikuar detajet. Por, sipas tij, në një mënyrë Lista Serbe e kanë bërë të ditur se nuk do të pengojë formimin e qeverisë dhe nga kjo del se përfaqësuesit politikë të komunitetit serb, nuk janë shumë të interesuar se çfarë përbërje do të ketë qeveria e re, marrë parasysh që një vend ministror e kanë të garantuar me kushtetutë, në rast se ekzekutivi do t’i ketë 12 dikastere. Megjithatë, sipas tij, sikurse edhe në të kaluarën, kundërshtimet e Listës Serbe ndaj qeverisë do të vazhdojnë.

“Me siguri që ato do të ekzistojnë. Por, vetë fakti që përfaqësuesit e Listës Serbe kanë shkuar për të biseduar me Kurtin dhe me zonjën Osmani, flet se ata janë të gatshëm që të bashkëpunojnë sikurse edhe më parë”, tha Petroniq.

Pretendenti i vetëm aktualisht për kryeministër, Albin Kurti, më herët ka theksuar se nuk do të ketë koalicion qeverisës me Listën Serbe. Kurti këtë subjekt e ka konsideruar si dorë të zgjatur të Beogradit zyrtarë në Kosovë.

Trajkoviq: Lista Serbe ka humbur adutin e shantazhit

Por, a do ta ketë fuqinë e ndikimit Lista Serbe për të realizuar synimet e saj politike, duke mos qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje?

Rada Trajkoviq shpreh mendimin që Lista Serbe do ta humbë fuqinë e ndikimit të saj, si dhe adutin me të cilin i ka shantazhuar qeveritë e deritashme, të cilat krijoheshin me koalicione, se do t’i tërheqnin serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës në veri të vendit, në rast se nuk do të ishin pjesë e pushtetit.

“Unë mendoj që ajo (Lista Serbe) duhet ta humbë fuqinë dhe gjithsesi që do ta humbë. Por, në anën tjetër, mendoj që fuqinë më të madhe do ta humbte në qoftë se organet e Kosovës që merren me kriminalitetin, do të hynin në projektin e verifikimit të shpenzimit të parave të buxhetit në komunat me shumicë serbe. Kjo do të krijonte hapësirë që edhe disa serbë të tjerë, në perspektivë, në të ardhmen e afërt, të kenë shansin që të zëvendësojnë Listën Serbe”, tha Trajkoviq.

Se cila do të jetë fuqia e ndikimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, sipas Verolub Petroniqit, mbetet të shihet pas formimit të qeverisë.

“Do të shohim se si duket kjo, sepse ne ende nuk kemi një pasqyrë se si do të duket qeveria e ardhshme. Vetëm kur të arrijmë te shpërndarja e disa posteve, do të shohim se sa do të ketë Lista Serbe fuqi të ndikimit në skenën politike të Kosovës. Më e besueshme është që do të mbetet jashtë (koalicionit) qeverisës. Por, nëse do të ketë disa përmbytje, këtë do ta shohim shumë shpejt”, theksoi Petroniq.

Lista Serbe, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, që nga formimi i saj në vitin 2014 e më pas, ka fituar bindshëm votat e komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet e mbajtura në Kosovë, duke i siguruar të 10 vendet e garantuara për komunitetin serb në kuvend.

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës miraton huan për Kosovën, 25 milionë euro për blerjen e vaksinave kundër COVID-19

Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës (CEB) ka miratuar dhënien e huas shtesë prej 25 milionë eurove, për të mbështetur autoritetet e Kosovës në blerjen e vaksinave kundër koronavirusit, për gati 50 për qind të popullsisë.

Kjo hua do të mbulojë edhe koston për materialet shpenzuese, bashkë me harxhimet lidhur me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

Kosova pritet të përfitojë vaksinat e para nga COVAX – skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Me këtë hua të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Kosova besohet se do të mund të blejë vaksina për 50 për qind të popullsisë.

Guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel ka thënë se Banka për Zhvillim është e lumtur që do të mund të ndihmojë Kosovën në përgjigjjen e saj ndaj pandemisë, si dhe të adresojë qasjen jo të barabartë në vaksina.

“Kjo gjë nuk është thelbësore vetëm për të tejkaluar krizën aktuale me pandeminë, por edhe për të zbutur pabarazitë sociale dhe ato ekonomike në rritje, si pasojë e pandemisë”.

Kjo hua sigurohet pas një marrëveshjeje prej 35 milionë eurosh, të nënshkruar në gusht të vitit 2020 në mes të autoriteteve të Kosovës dhe Bankës për Zhvillim, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve të nxitura nga pandemia.

Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.

Abdixhiku paralajmëron takim të ri për kandidaturën e Osmanit për presidente

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të premten, se javën e ardhshme do takohet me pretendenten për pozitën e presidentit në Kosovë Vjosa Osmani, për të diskutuar pozicionin e saj karshi disa çështjeve.

Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me ushtruesen e detyrës së presidentit Vjosa Osmanin dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, partia e të cilit ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Ai ka përmendur se LDK-ja është e interesuar për qasjen e Osmanit ndaj partisë që drejton Abdixhiku, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, partive opozitare dhe nismës së saj të paralajmëruar politike.

Sipas tij, LDK-ja është e interesuar për një kandidat për president, që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Kemi përfunduar takimet me LVV-në, sepse pozicionet tona janë të qarta. Ne jemi në opozitë, ata janë në pozitë. Ne do të jemi opozitë aktive dhe alternativë e re në të ardhmen”, ka thënë Abdixhiku pas takimit.

Ai ka thënë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën e së hënës kur pritet të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi për seancat tjera.

Sipas Abdixhikut gjithçka do të varet nga vendimet që marrin organet e partisë së LDK-së.

“Nesër e kemi mbledhjen brenda partisë dhe do ta formojnë kryesinë e re. Unë do të prezantoj detajet e këtij takimi”, ka thënë mes tjerash ai.

Abdixhiku ka përsëritur sërish të premten se partia që drejton ai nuk është e interesuar të shkaktojë destabilizim politik.

Për dallim nga Abdixhiku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj ka qenë të enjten më i drejtpërdrejtë sa i përket kandidaturës së Osmanit për presidente.

Ai e ka quajtur Osmanin figurë përçarëse dhe ka thënë se PDK-ja nuk ka votë për të.

Po të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka thënë se partia që drejton ai, do të jetë pjesë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Për secilën seancë tjetër, Haradinaj ka thënë se grupi parlamentar i AAK-së do të diskutojë veç e veç.

Ditë më parë, Haradinaj ka thënë se është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje që t’i sigurojë votat e nevojshme në kuvendin e ri, për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. rel

Lumir Abdixhiku thërret Këshillin e Përgjithshëm, nesër zgjidhet kryesia e re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thirrur mbledhjen e parë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, për ditën e nesërme në ora 14:00, shkruan Express.

Në rend të ditës do të jenë, platforma e Kryetarit të ri të LDK-së dhe Zgjedhja e Kryesisë.
Po ashtu, kujtojmë se kryetari Abdixhiku pritet sot të mbaj një takim konsulativ me kandidatin për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe me kandidaten për presidente Vjosa Osmani.

Lumir Abdixhiku të dielën u zgjedh kryetari më i ri i Lidhjes Demokratike pas dorëheqjes së Isa Mustafës pas rezultatit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.

PDK dhe AAK thonë se nuk do të qëndrojnë në Kuvend kur të votohet Vjosa Osmani për presidente

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk do të qëndrojnë në Kuvend kur të votohet Vjosa Osmani për presidente.

Haradinaj, që bëri të ditur gjatë zgjedhjeve se kandidoi për president, ka përsëritur deklaratat e tij se është detyrë e VV’së si parti fituese që të sigurojë votat edhe për presidentin.
Këto komente ai i ka bërë në RTV Dukagjini.

Të njëjtat deklarata i ka bërë edhe nënkryetari i PDK’së, Xhavit Haliti.

Xhavit Haliti, nënkryetar i PDK-së dhe deputeti i zgjedhur nga kjo parti ka konfirmuar se partia të cilës ai i takon dje ka marrë vendim unanim që mos të merr pjesë në seancën e Kuvendit ku do të shpaloset kandidatura për president, respektivisht kandidatura e Vjosa Osmanit.

“Vjosën e kom pas kolege edhe në kohën kur ka punuar në kabinetin e zotit Sejdiu. Ka përvojë legjislative, por politika i ndanë njerëzit dhe partitë ka qëndrime të kundërta”, ka thënë Haliti.

Sipas tij, nëse Lëvizja Vetëvendosje i merr tri pozicionet më të rëndësishme të shtetit, atëherë nuk mund të themi se kemi shtet demokratik.

“Pse duhet lënë pozitën e presidentit për opozitën, ose të kemi një president konsensual. Në vijmë nga një mendësi e tillë politikë, që domosdoshmërisht duhet ta shkatërrojmë kundërshtarin, mos ta përfillimin dhe të ndërtojmë të vetëm institucionet”, ka shtuar Haliti.

“Nëse duam ta zbatojmë një rregull që e ka imponuar Kushtetuesja, duke e kushtëzuar qëndrimin e deputetëve në seancë, mendoj se deputeti duhet të prezent në çdo situatë në Parlamentin e Kosovës, përjashtuar disa raste të caktuar nëse nuk janë dakord me atë që ndodh”, ka thënë Haliti.

Abdixhiku: LDK-ja synon shmangien e zgjedhjeve të reja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të enjten se, partia që ai drejton, synon të shmangë zgjedhjet e reja në Kosovë.

“LDK-ja synon t’i shmangë zgjedhjet. LDK-ja synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK-ja synon që këto institucione të jenë demokratike, por edhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Zgjedhjet e shpeshta ai i ka cilësuar të mërzitshme dhe të kushtueshme për Kosovën.

Lidhur me unitetin e deputetëve të LDK-së, sa i përket votimit për pozitën e presidentit në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se për këto çështje duhet diskutuar fillimisht me organet e partisë.

“Besoj që gjatë vikendit do t’i formojmë organet e partisë, siç është kryesia e partisë, dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet, në koordinim të plotë me grupin parlamentar të LDK-së”.

Sa i përket propozimit të ndonjë emri për pozitën e presidentit, nga ana e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se rëndësishme është që fillimisht të mbahet takimi i planifikuar për të premten në mes të tij dhe ushtrueses së detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit të zhvilluar me zëvëndëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi, i cili ka nisur po këtë ditë vizitën e tij në Kosovë, me qëllim të diskutimit të procesit të regjistrimit të popullsisë së diasporës.

Abdixhiku ka thënë se me Grubin kanë diskutuar marrëdhëniet mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Maqedonisë së Veriut dhe ka ftuar diasporën që të ndihmojë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

Regjistrimi i popullsisë brenda Maqedonisë së Veriut pritet të nisë më 1 prill.

Sipas regjistrimit të fundit, Maqedonia e Veriut ka rreth 2 milionë banorë, prej tyre, 25.17 për qind janë shqiptarë.

Përqindja e popullatës shqiptare lidhet edhe me të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë, siç është ajo e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo pasi në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut gjuha shqipe përkufizohet si gjuhë, të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. rel

Spitalet në Kosovë drejt kolapsit, në gjithë vendin ka mbi 11 mijë raste aktive me COVID-19

KOSOVA

Kosova po përballet me një valë të re infektimesh, teksa problemi më i madh qëndron tek spitalet.

Kapaciteti i këtyre të fundit po shkon drejt fundit, teksa në vend shënohen plot mbi 11 mijë raste aktive me COVID-19.

Drejtori i Klinikës Infektive dhe infektologu, Izet Sadiku e konfirmon së spitalet po shkojnë drejt kolapsit, pasi vetëm dy javët e fundit numri është rritur me 300. bw

LDK, AAK e PDK i dalin kundër Vjosa Osmanit, nuk e votojnë për presidente

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vendosur që të mos e mbështesin për presidente Vjosa Osmanin. Në të njëjtën vijë është deklaruar ditë më parë pas takimit me Osmanin dhe Kurtin edhe Ramush Haradinaj që po synonte të garonte për karrigen më të rëndësishme të shtetit. Deri më tani, sipas burimeve, seanca për të votuar presidentin e ri është paraparë të mbahet në javën kur votohet edhe Qeveria e re, mëson Gazeta Express.

Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Të hënën, pak orë pas konstituimit të Kuvendit pritet të thirret edhe seanca për votimin e Qeverisë së re.

 

Gjatë të njëjtës javë është paraparë që të thirret seanca edhe për të votuar presidentin e ri.

Mirëpo, Vjosa Osmani që ka dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk po e merr edhe përkrahjen e opozitës për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Ishte Ramush Haradinaj i pari nga partitë opozitare që tha se AAK-ja nuk e mbështet VV-në, sepse në këtë mënyrë pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme.

“Deri tash VV së bashku me Lëvizjen Guxo, ka marr shumicën e votave për të qeverisur me vendin, por nuk i kanë dy të tretat për zgjedhjen e presidentit. Po tash ta shohim se si do të veprojnë për ta zgjedhur këtë situate, pasi që edhe qeveria varet nga kjo. VV nuk i ka fituar zgjedhjet për të shkuar në zgjedhjet, por për të qeverisur me vendin. Ne nuk do t’i japim përkrahje VVsë për ta koncentruar pushtetin te një partie e vetme”, tha ai.

Një takim për të vendosur lidhur me çështjen e presidentin e kanë mbajtur edhe në Partinë Demokratike të Kosovës që po udhëhiqet nga Enver Hoxhaj.

Pas disa orë mbledhje, në organin më të lartë të PDK-së është marrë vendim që ky subjekt të mos e votojë Osmanin për kryetare të shtetit.

“Njëri prej vendimeve të rëndësishme është që KD i PDK në mënyrë unanime nuk e mbështet kandidaturën e zonjës Osmani për të qenë presidente”, tha Hoxhaj.
Enver Hoxhaj pas takimit me Këshillin Drejtues të PDK-së

Se nuk votojnë Vjosa Osmanin për presidente ka thënë mbrëmë edhe ish-partiaku i saj në LDK, Lumir Abdixhiku që tashmë është emëruar si kryetar i partisë.

Ai ka thënë se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë dhe nuk votojnë president partiak.

“LDK nuk do jetë pjesë e qeverisë, sa jam unë kryetar, LDK nuk do të jetë në qeveri, do të jem opozitë, do te merrem me rikthimin e LDK-së, në korrigjimin e gabimeve që kemi pasë duke synuar ruajtjen e nivelit demokratik në vend. Çdo pretendent për president duhet të qartësojë se çfarë pozicioni ka ndaj LDK-së, është pozicion, urryes, apo neutral, sepse presidenti këtë punë ka”, ka thënë ai.

“Ne synojmë të ndërtojmë institucione, synojmë t’i shmangim zgjedhjet se qytetarët janë lodhur me zgjedhje, kërkojmë që pozita e presidentit të jetë e pavarur. Nuk po e personalizojë Hashim-Vjosë sepse po të ishte në nievl personal, zgjedhja do të ishte e thjeshtë. Kemi pasur president partiak sikurse Thaçit, nuk duam prapë një president partiak, presidenti duhet të ketë neutralitet”, ka përfunduar Abdixhiku.

Vjosa Osmani do të nominohet për presidente, derisa, për këtë çështje e njejta ishte dakorduar me Kurtin gjatë nënshkrimit të marrëveshjes parazgjedhore.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh

Si ndodhi vrasja e të riut në Deçan nga djali i pronarit dhe si e ndryshoi veprën prokurori

Agonis Tetaj ishte në vendin e tij të punës, kur u qëllua për vdekje nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të kompanisë në të cilën po punonte viktima. Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”. Express ju sjell detaje nga aktakuza.

Një ngjarje e rëndë kishte ndodhur mesditën e 23 shtatorit të vitit 2018 në në Deçan. Aty, 18-vjeçari Shaban Gogaj, kishte qëlluar për vdekje punonjësin 29-vjeçar, Agonis Tetaj, nga fshati Llukë i Deçanit.

Tetaj kishte mbetur i vdekur në vend, ndërkaq Gogaj i cili ishte 18-vjeçar atë kohë, ishte arrestuar menjëherë në vendngjarje.

Sipas aktakuzës, krejt kjo ngjarje kishte ndodhur menjëherë pasi Shabani kishte marrë një telefonatë nga N.M, ku sipas Prokurorisë kjo telefonatë e acaroi atë.

Në aktakuzë shkruan se në momentin kur Shaban Gogaj shkrep plumbin, Agonis Tetaj, ndodhej ndërmjet dy kolegëve te tij.

Plumbi e kishte goditur në fytyrë, konkretisht në mollëzën e djathtë. Predha e plumbit i kishte kaluar në pjesën e prapme të qafës, e cila i ka shkaktuar gjakderdhje të jashtme dhe të brendshme në cipat e buta të trurit dhe trurit të vogël, si rrjedhojë Agonis Tetaj kishte pësuar vdekje të menjëhershme.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se Shaban Gogaj, me dashje e kishte privuar nga jeta viktimën Agonis Tetaj.

Gogaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërkaq këtë të martë prokurori i rastit, Agron Uka, e ka ricilësuar veprën penale si “Vrasje nga pakujdesia”.

Pas rikualifikimit të veprës, i akuzuari Shaban Gogaj, e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë. Ndërkaq prokurori Uka ka deklaruar se te i pandehuri Gogaj, nuk ishte provuar dashja për kryerjen e vrasjes së të ndjerit Tetaj, e as ndonjë motiv apo qëllim për kryerjen e kësaj vepre.

“Nuk është argumentuar elementi i dashjes për vrasje e as për vrasje të rëndë. Duke u bazuar në nenin 7 të KPRK-së dhe në rast të dyshimit, duhet të veprohet në favor të pandehurit, pikërisht në këto rrethana dhe fakte dhe dispozita ligjore në fuqi, bëjmë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka deklaruar Uka.

E për këtë, babai i Agonisit, Isuf Tetaj, ka dërguar një letër publike në të cilin po e akuzon prokurorin Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

“Agonisi djali im u vra në vendin e punës në ditën e diele nga djali i pronarit të biznesit në të cilin ka qene i punësuar. Po ju shkruaj me qëllim që te ju informoj dhe alarmoj se prokurori z.Agron Uka, dje ne seancën gjygjësore në të cilën është thënë fjala përfundimtare nga palët pa asnjë provë dhe në kundërshtim me krejt realitetin ka rikualifikuar vrasjen e djalit tim nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia”, ka shkruar Isuf Tetaj në letrën e tij.

Tetaj në letrën të cilën ua ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadorit të SHBA’së në Kosovë Philip Kosnett, ambasadorit të Britanisë në Kosovë Nicholas Abott dhe atij të Gjermanisë, Joern Rohde, ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Ndryshe, përveç Gogajt, për armëmbajtje pa leje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.

Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguti kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.


Send this to a friend