VOAL

VOAL

Vjosa Osmani nis vizitën zyrtare në Estoni, pritet nga homologia e saj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të lartë në Estoni, ku do ta realizojë një vizitë dy ditore.

Para pak çastesh, Osmani është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid.

Gjatë ditës, Osmani pritet të takohet edhe me presidentin e Parlamentit të Estonisë, Jüri Ratas, kryeministren Kaja Kallas, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Këtë vizitë në Estoni, Osmani e ka cilësuar si mundësi të mirë për vendosjen e bashkëpunimit me shtetin, i cili bart primatin në nivel global për E-qeverisje.

Presidentja ka theksuar se vizita në Estoni do t`i hapë rrugë vendosjes së bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet bizneseve. Sipas Osmanit, Kosova mund të përfitojë nga përvoja e Estonisë nga fusha e teknologjisë informative, ekonomia mbrojtja, siguria, arsimi, shëndetësia, turizmi dhe shkëmbimi kulturor.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington pas paralajmërimit për sanksione nga Shtëpia e Bardhë, sqaron pse nuk përmendet marrëveshja e Ahtisaarit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një Urdhri Ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Citaku ka sqaruar se urdhri i nënshkruar nga Biden është vazhdim i atij fillestar që ishte nënshkruar në vitin 2001, e ku  parashikohen sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, derisa, tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Citaku ka thënë se në urdhrin që ka nënshkruar presidenti aktual amerikan, është shtuar edhe marrëveshja e Prespës, derisa, te shtetet e Ballkanit Perëndimor që mund të kenë sanksione, është shtuar edhe Shqipëria.

“Diçka për urdhrin ekzekutiv të Presidentit Biden. Ky urdhër është në fuqi që nga viti 2001( është amandamentuar ndërkohë). Dmth, urdhri si i tillë është nënshkruar nga ish Presidenti Bush.  Presidenti Biden vetëm e ka ripërtërirë atë, duke i shtuar marrëveshjen e Prespas dhe duke përfshirë edhe Shqipërinë ( ndonëse urdhri i adresohet Ballkanit Perëndimor, ai i vitit 2001 nuk e përmend Shqipërinë në mënyrë eksplicite)”, ka shtuar ish-ambasadorja e Kosovës, duke sqaruar se pse në këtë marrëveshje sipas saj nuk është shtuar edhe marrëveshja e Ahtisarit.

“Arsyeja pse nuk është shtuar marrëveshja e Presidentit Ahtisari (interpretim i imi ky) është se një formulim i tillë do t’ua pamundësonte të gjithë zyrtarëve Serb hyrjen në SHBA”, shtoi e njëjta.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, korrupsioni dëmton drejtpërdrejt politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe të partnerëve e aleatëve.

Presidenti Biden shprehet në urdhrin ekzekutiv se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.

Urdhri që zgjeron kompetencat për të marrë masa ndaj personave që janë të përfshirë në këto kategori, pason vendimin e Shtëpisë së Bardhë javën e kaluar për ta shpallur luftën kundër korrupsionit si një përparësi themelore të interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Urdhri fillestar ekzekutiv i vitit 2001 nga ish-Presidenti George w. Bush, pas luftërave në Ballkan, parashikonte sanksione në lidhje me ekstremizmin e dhunshëm, shkeljen e Marrëveshjeve të Dejtonit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën dhe kërcënonte stabilitetin në rajon.

Ky urdhër është rinovuar çdo vit që atëherë nga Presidentët amerikanë./GazetaExpress/

Themelimi i institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

Edlira Bllaca

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën në Prishtinë se është koha e fundit që të dokumentohen e njihen të gjitha krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe dëmet që i janë shkaktuar vendit gjatë asaj periudhe.

Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë takimit të parë të grupit të punës për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.

“Edhe sot 22 vjet pas luftës nuk kemi një shifër që do të mund të na tregonte se cili është dëmi ekonomik që lufta i ka shkaktuar vendit tonë. Po, kemi shifra të ndryshme në të cilat thirremi, por dëmi i shkaktuar është shumë më i madh, thjeshtë nuk e kemi matur. Situata është edhe më keq në raport me dëmin emocional e psikologjik, të cilin nuk e kemi adresuar aspak si duhet për këto vite”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dokumentimi i krimeve ka rëndësi thelbësore për vënien në vend të drejtësisë.

“Dokumentimi i krimeve të luftës ndihmon në krijimin e kujtesës kolektive, në ndjekjen penale të autorëve të krimeve, në identifikimin e viktimave për të kërkuar dëmshpërblime, në planifikim më të saktë e të drejtë të memorialeve, në rishikimin e teksteve shkollore dhe për më tepër kontribuon në krijimin e një kulture të re ku të drejtat e njeriut respektohen”, tha zonja Haxhiu.

Një institut i ngjashëm në Kosovë, ishte themeluar në vitin 2011, ndërsa u shua me vendim të qeverisë në vitin 2018, me idenë që detyrat e tij t’i kryente divizioni për drejtësi tranzicionale në kuadër të Ministrinë e Drejtësisë.

Zonja Haxhiu tha se për dallim nga Instituti i kaluar, që ishte themeluar me vendim, i riu do të themelohet përmes ligjit dhe do të ketë linjë të posaçme buxhetore, që garanton jetëgjatësi dhe përmbushje të synimeve të këtij institucioni.

“Kemi qenë vazhdimisht në kontakt me qytetarë, me organizata të ndryshme, të cilët disa në mënyrë vullnetare tash e sa vite kanë mbledhur dëshmi dhe fakte, kanë bërë hulumtime, botuar libra, për të mos i lënë në harresë e të padokumentuara krimet e kryera në Kosovë, e për më tepër për të përmbushur një detyrim që institucionet tona deri tash nuk e kanë kryer”, tha ajo.

Në përpjekje të dokumentimit të rrjedhës historike deri te lufta në Kosovë si dhe të ngjarjeve të kohës së luftës, Instituti për Drejtësinë, të Vërtetën dhe Paqen publikoi të hënën raportin me titull “Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndërhyrja ushtarake humanitare e NATO-s në vitin 1999”.

Muharrem Mustafa nga ky institut tha se ka mungesë të thellë të të dhënave për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë në periudhën para dhe gjatë luftës, por ka edhe shumë të dhëna jo të sakta.

“Ky publikim argumenton faktin se gjenocidi ka filluar dhe është realizuar përmes shkatërrimit ekonomik, rrezikimit të sigurisë kolektive dhe individuale, shkatërrimit te trashëgimisë kulturore, sistemit arsimor, gjuhës shqipe, kufizimit të lirisë, shkatërrimit të sistemit shëndetësor dhe që ka kulmuar me vrasje masive, masakra dhe shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor e mendor, përdhunime, plaqkitje, shkatërrim të pasurisë, spastrim etnik dhe të tjera”, tha ai.

Zoti Mustafa tha se në këtë hulumtim përmes përshkrimit të rrjedhës së saktë të ngjarjeve, vërtetohet se ndërhyrja e NATO-s ka qenë e domosdoshme për të ndalur gjenocidin në Kosovë.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Ndërkaq edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1641 personave, shumica dërmuese të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Kurti: Për të pagjeturit, të hapen arkivat shtetërore të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.

Kurti tha se krimet nuk janë kryer thjesht nga individë, por nga shteti serb.

Ai i bëri komentet në një takim me drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Martin Schuepp.

Kurti tha se Qeveria e tij i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjes së drejtësisë.

Schuepp, në anën tjetër, tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës, t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse, sipas tij, mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli, ka thënë në atë rast se hapja e arkivave ushtarake dhe policore në Serbi mund të ndihmojë në identifikimin e varrezave të tjera masive në Serbi.Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se çështja e të pagjeturve nga koha e luftës është një plagë e hapur dhe se “është shumë me rëndësi që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë”.

Kurti tha se krimet nuk janë kryer thjesht nga individë, por nga shteti serb.

Ai i bëri komentet në një takim me drejtorin rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Martin Schuepp.

Kurti tha se Qeveria e tij i jep prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional të familjeve të tyre dhe vendosjes së drejtësisë.

Schuepp, në anën tjetër, tha se është shumë e rëndësishme për njerëzit që kanë përjetuar ngjarjet e luftës, t’i ndajnë ato me të tjerët, sepse, sipas tij, mund të kuptohen më shumë gjëra rreth asaj që ka ndodhur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli, ka thënë në atë rast se hapja e arkivave ushtarake dhe policore. rel

Ramiz Lladrovci ia njeh Albin Kurtit kontributin e dhënë në UÇK

Kryetari i Komunës së Drenasit dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramiz Lladrovci, ia ka njohur kontributin për luftën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, raporton Gazeta Express.

Lladrovci në një intervistë ka thënë se Kurti ka kontribuar aq sa ka pasur mundësi ta bënte, ndërsa ka theksuar se çdo qytetar ka pasur mundësinë të ndihmojë në ndonjë mënyrë për çlirimin e vendit.

“Çdo qytetar i Kosovës që ka jetuar në Kosovë dhe jashtë saj e ka pasur mundësinë të japë kontributin e tij për çlirimin e vendit. Albin Kurti ka qenë njëri prej asistentëve të të madhit Adem Demaçi i cili ka vepruar në zyrën e drejtorisë politikë në Prishtinë dhe unë konsideroj se ai ka qenë njëri prej atyre që ka kontribuar me aq sa ka pasur mundësi, me aq sa ka ditë, në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Lladrovci në ATV.

Ai ka shtuar se nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë bashkë me veprimtarin Adem Demaçi gjatë periudhës kur zhvillohej lufta në Kosovë.

“Nuk ka qenë e lehtë të jesh në Prishtinë me Adem Demaçin, Unë e di që shokët mi, bashkëluftëtarët e mi flasin që Albini nuk ka pranuar ta veshë uniformën apo nuk ka pranu të jetë me armë në dorë, nganjëherë disa punë kryhen edhe pa e pasë armën, edhe pa e pasë uniformën ashtu siç duhet”, ka thënë Lladrovci.

I pyetur për deklaratat e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj se Kurti mund të jetë i shantazhuar nga shërbimet serbe, Lladrovci tha se nuk di për këtë çështje.

“Nuk di për Z. Kurti se a ka qenë i shantazhuar, a e kanë thyer gjatë torturave, nuk e di. Janë institucionet tjera që merren me atë çështje. Për patriotizmin dhe për qeverisjen e Albin Kurtit, pa i bë 100 ditë nuk flas”, ka thënë Lladrovci.

Veprimtaria e kryeministrit Albin Kurti gjatë kohës së luftës u bë temë para disa ditësh, kur ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, tha në Pressing të T7 se Kurtin e ka pasur bashkëluftëtar në UÇK.

Këtë deklaratë Remi e tha pasi u pyet për deklaratën e tij në Bruksel ku tha se Ballkani Perëndimor duhet pastruar skena politike nga kriminelët e luftës dhe të paqes.

“Po flet ashtu sikur ai e njeh problemin, në vendin tonë nuk ka pasur krime lufte nga çlirimtaret. Unë Albin Kurtin e kam pasur bashkëluftëtar. Me Albin Kurtin jam takuar edhe në shtabin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Jemi takuar për qëllime të çlirimit të vendit. Ai ka qenë me detyra të veçanta në Drejtorinë Politike. Por, kemi pasur kontakte gjithëpërfshirëse. Gjatë kohës sa ishte pjesë e zyrës së Adem Demaci”, ka deklaruar Remi.

Çka ndodhi me idenë për bashkim kombëtar, flasin nga Vetëvendosja

Bashkimi kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të realizohet nëse ka vullnet nga të dyja shtetet, thonë nga Vetëvendosja. Mirëpo, opozita thotë se kjo çështje është harruar nga vet Qeveria.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Kollçaku, tha se ka një gatishmëri nga kjo parti për bashkëpunim me Shqipërinë.

Tutje, ajo tha se bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira.

“Ajo ideja e bashkimit kombëtar është ide e kamotshme e popullit shqiptar qoftë Shqipëri qoftë Kosovë të cilët padrejtësisht janë ndarë mirëpo një ide e tillë neve nuk na pengon që në të ardhmen të realizohet përmes vullnetit të dy vendeve sepse e kemi një kufi padrejtësisht të vendosur por nëse të dy qeveritë qoftë ajo e Shqipërisë qoftë ajo e Kosovës do të jenë të përkushtuara në bashkëpunim për të gjitha sferat e jetës. Edhe vetë Kuvendi i Kosovës dhe si kryetare e Komisionit për Shëndetësi kam një gatishmëri të plotë që të kemi bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë. Bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira”, shtoi Kollçaku.

Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha se një plan për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë nuk parashihet në programin e Qeverisë.

Musliu-Shoshi thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura dhe mund të funksionojnë vetëm në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku Kosova nuk ka ambasadorë.

“Nëse e lexoni pjesën e politikës së Jashtme është një paragraf i thellimit të bashkëpunimit me Shqipërinë. Unë mund t’i them edhe qeverisë dhe opinionit publik se jemi dy shtete të pavarura dhe ne mund të funksionojmë vetëm në bazë të marrëveshjeve që i kemi të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku ne nuk kemi ambasadorë apo nuk na njohin. Ne mund t’i shfrytëzojmë këto seli të përbashkëta. Mirëpo kjo pjesë është harruar komplet. Ne mund të bëjmë edhe iniciativa të përbashkëta me Shqipërinë por siç duket e kanë harruar që ta përfshijnë”, tha ajo.

Sipas deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, thotë se deklaratat nga pozita për bashkimin kombëtar janë me qëllime populiste.

“Qoftë bashkim kombëtar, qoftë mosnjohja e flamurit e himnit të Kosovës me të gjitha këto VV-ja ka bërë një populizëm dhe e ka bërë populizëm edhe në paragrafin qe në programin e qeverisë ia ka kushtuar bashkimit kombëtar. Kosova është përcaktuar me qenë pjesë e BE-së dhe po ashtu po kërkojmë që integrimi i Ballkanit perëndimor të shkojmë njëtrajtshëm sepse në tavolinën e bisedimeve me BE-në kemi kërkuar që integrimi i Ballkanit Perëndimor të bëhet njëjtë dhe prapë është e padrejtë që Brukseli zyrtar Serbinë e avancon duke tentuar të marrë statusin e vendit kandidat ndërsa Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo është e padrejtë”, tha Kadriaj për Ekonomia Online.

Kurti i kërkon ministrit grek njohjen e pavarësisë së Kosovës, Dendias i ofron përkrahje Kosovës në rrugën evropiane

Kryeministri Albin Kurti i ka kërkuar kryediplomatit grek Nikos Dendias që Greqia ta njoh pavarësinë e Kosovës në takimin bilateral që ka pasur. Dendias në anën tjetër ka thënë se do të përkrahë Kosovën në rrugën euro-atlantike, raporton Gazeta Express.

“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Kryeministrit.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Dendias për rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës dhe angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, siç ishte rasti në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ku vota greke ka qenë përcaktuese për pranim, por edhe për votimin për pranim në Bankën Qendrore Evropiane, Frankofoni e Komisionin e Venecies.

BE: Ende nuk e kemi caktuar datën dhe axhendën e takimit Kurti-Vuçiç në Bruksel

Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar datën e as agjendën e takimit të paralajmëruar ndërmjet kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiç në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin ka theksuar se dialogu do të fillojë në një kohë të përshtatshme.

“Ne do të njoftojmë për datën, kohën dhe agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut kur është koha e përshtatshme”, ka deklaruar Stano.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se qeveria e tij ka një program qeverisës dhe një plan për dialog, duke shtuar se dialogu me Serbinë do të jetë i ri, e jo vazhdim.

Kurti është zotuar se do të raportojë në Kuvendin e Kosovës për çdo zhvillim që do të ndodhë në Bruksel.

“Në takimin që do të zhvillohet në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut por përballja e parë, apo takimi i parë me Vuçiqin me të cilin s’jam takuar asnjëherë, për dallim me tryezën që është mbajtur me mbi 30 veta në shkurt të vitit 2020 në konferencën e Sigurisë që mbahet tradicionalisht në Mynih të Gjermanisë. Është takimi i parë dhe aty do ta shohim se çfarë do të jetë kapitulli i dialogut të ardhshëm, është takim i dialogut të ardhshëm por nuk është vazhdim për dialogun e mëhershëm”, ka thënë Kurti ditë më parë.

Vlen të ceket se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, është thënë se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

SHBA-ja, gjatë administratës së Donald Trumpit kishte emëruar Richard Grenellin të dërguar të presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.

Në kuadër të përpjekjeve amerikane për normalizimin e marrëdhënieve, më 4 shtator, 2020, në Shtëpinë e Bardhë u arrit një marrëveshje për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Kjo marrëveshje, veç tjerash, parasheh disa projekte infrastrukturore, siç janë linja ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit, autostrada mes dy shteteve dhe lidhjet hekurudhore.

Gërvalla ia kujton mosnjohjen e pavarësisë homologut grek

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në konferencën e përbashkët me homologun grek Nikos Dendias i kujtoi këtij të fundit tërthorazi se Greqia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Dendias në anën tjetër nuk e përmendi fare faktin se shteti nga vjen se njeh Kosovën, duke thënë vetëm se e përkrahin liberalizimin e vizave për kosovarët, raporton Gazeta Express.

Gërvalla para mediave tha do të vazhdojnë dialogun edhe rreth çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës me Greqinë dhe partnerët e BE-së.

 

“Njohjen dhe respektimin e pavarësisë së vendit tonë nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian përfshirë edhe Greqinë e konsiderojmë si një kontribut thelbësor për stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës është fakt i patjetërsueshëm dhe sa më parë që të pranohet një fakt i tillë aq më shpejt sigurohet një perspektivë e qëndrueshme për rajonin. Por, duke pasur parasysh faktin se Greqia pavarësinë e Kosovës e sheh ende nga një këndëvështrim tjetër ne riafirmojmë se me Greqinë dhe me partnerët tjerë të BE-së do të vazhdojmë intenzivisht dialogun edhe rreth kësaj çështje”, tha Gërvalla.

Kryediplomati grek para mediave tha se Greqia e mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi kriteret janë përmbushur.

“Ne besojmë që Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ne jemi poashtu pro-liberalizimit të vizave për juve sepse ju keni përmbushur kriteret. Ne jemi këtu që të ju ndihmojmë edhe në fushën e sundimit të ligjit.  Është e qartë se ne mbështesim fuqishëm vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, që mes palëve të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme”, tha Dendias.

Vdiq Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës

Sot ka vdekur Zoje Prendi, nëna e pesë djemve të vrarë në masakrën e Mejës.Më 27 prill të vitit 1999 asaj ja vranë pesë djemtë, Viktorin, Sokolin, Markun, Robertin dhe Gjergjin.

Për këtë ka njoftuar edhe nipi i saj, Egzon Marku në Facebook.

“Sonte u shua AJO. Ajo zonja fisnike, me zemër të madhe e me shpirt të bardhë, me guximin e çeliktë e shpirtin plotë vuajtje por me mendjen e kristaltë. Ajo që çdo sfidë të jetës ia dilte mbanë faqebardhë. Ajo që e deshi jetën si dhuratën më të çmuar që Zoti ja dha, asnjëherë nuk u dorëzua”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Për vdekjen e saj ngushëllime ka shprehur edhe avokati, Arianit Koci.

“Nona Zoje Prendi sot ka vdekur. Forcat kriminale serbe, në masakrën e Mejës ia kanë vrarë pesë djem: Gjergjin, Robertin, Markun, Sokolin dhe Viktorin. Tani nona Zojë e ka gjetë paqen e vet. Është me të dritat e syve të saj – fëmijët”, ka shkruar ai.

Masakra e 27 prillit të vitit 1999 në fshatin Meje të Gjakovës është masakra më e madhe në Kosovë ku brenda disa orëve ushtria paramilitare serbe la të vrarë 376 persona.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit. Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Lajçak dhe Palmer përfundojnë takimet zyrtare në Kosovë

Prishtinë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (BE) për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zëvendës-ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, kanë përmbyllur takimet zyrtare në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë të përbashkët të mbajtur pas takimeve me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, me udhëheqës të partive opozitare si dhe me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë, Lajçak dhe Palmer ritheksuan mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi special i BE-së Lajçak, i cili po qëndron për herë të katërt në vizitë zyrtare në Kosovë, tha se qëllimi parësor i vizitës së tyre është të përgatitet takimi i parë i nivelit të lartë të bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, midis Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Lajçak tha se viti 2021 ka potencial të jetë vit i mirë për Ballkanin Perëndimor.

“Ky vit ka potencialin të bëhet vit i mirë për marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor. Është një rritje e interesimit në rajon dhe në udhëheqjen e BE-së dhe vendeve anëtare. Ka pasur diskutim mes 27 ministrave të jashtëm para ca ditësh, do të ketë edhe një diskutim tjetër më 22 qershor, gjithashtu do ta kemi samitin e Ballkanit Perëndimor dhe e gjithë kjo platformë do të përdorët për të çuar përpara agjendën evropiane për rajon, përfshirë edhe Kosovën dhe shpresoj që dialogu Kosovë-Serbi do të bëhet një nga shembujt e mirë për zhvillim pozitiv në rajon duke shënuar progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”, theksoi Lajçak.

I dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha është çështje e Kosovës dhe Serbisë për të identifikuar parametrat e dialogut dhe të kontribuojnë drejt përfundimit të procesit të dialogut, ndërsa roli i SHBA-së në këtë proces është të inkurajojë palët.

“SHBA-ja mbështet fuqishëm dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i dialogut është normalizimi i plotë i marrëdhënieve. Për SHBA-në qëllim është njohja e ndërsjellë midis këtyre dy vendeve, një gjë e cila vendos prapa të kaluarën dhe hap rrugën përpara për anëtarësimin drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë. SHBA-ja nuk është një palë në procesin e dialogut por është partnere”, theksoi Palmer.

Palmer shtoi se SHBA-ja beson që qëllimi përfundimtar i dialogut është njohja reciproke midis dy vendeve fqinje.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë vjen vetëm pak javë para takimit të parë që pritet të ndodhë midis kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti deklaroi se takimi me Vuçiqin mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Palmer: Asociacioni duhet të formohet ashtu si dakordohen Kosova dhe Serbia

 Përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Mathew Palmer në konferencën për media që ka mbajtur në Prishtinë së bashku me Emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të formohet ashtu si merren vesh palët në dialog, raporton Gazeta Express.

“Forma se si duhet të bëhet Asociacioni është ajo se si do të dakordohen palët, pra Kosova dhe Serbia”, ka thënë Palmer.

Ndërsa, Emisari Lajçak tha se marrëveshjet ndërkombëtare që arrihen mes palëve duhet të futen në legjislacionin e shtetit dhe kjo është çfarë ai ka thënë lidhur me ndryshimin e kushtetutave.

“Është një lloj tradite e mirë që më vendoset në gojë diçka që nuk kam thënë, çfarë kam thënë është se kur arrihet një marrëveshje ndërkombëtare duhet të futet në legjislacionin shtetëror. Kjo është për çka palët mund të merren vesh në negociatat dhe kjo është në duart e Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Lajçak.

Opozita i kërkon Palmerit rol më të madh të SHBA në dialog

RFE/RL

Krerët e dy partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku kanë kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kërkesa e tyre u bë gjatë takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Matthew A. Palmer, i cili po qëndron në Kosovë në të njëjtën ditë me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në përpjekje për t’i dhënë shtysë rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas një komunikate për media nga Partia Demokratike e Kosovës, Hoxhaj në takim ka sqaruar pozicionin e PDK-së karshi dialogut, me theks të veçantë me pritjet e kësaj partie që ky proces të përfundojnë me njohje të ndërsjelltë.

Ndërsa në njoftimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thuhet se kryetari Abdixhiku ka thënë në takim se SHBA-ja është partnerja më e fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog”, thuhet në njoftim.

Më herët, sipas një njoftimi të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, gjatë vizitës së tij dyditore, Lajçak do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti dhe zyrtarë tjerë.

“Lajçak gjithashtu do të takohet me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë dhe do t’u drejtohet shefave të misioneve të BE-së”, thuhet në njoftim.

Edhe Ambasada amerikane në Prishtinë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, konfirmoi arritjen e zyrtarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew A. Palmer.

Arsyeja e vizitës merret vesh se është përgatitja për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, përkatësisht përgatitja e takimit mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodhë diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, do të bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Unifikimi për dialogun, në duart e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference të përbashkët për media me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

 

Bekim Bislimi

Partitë politike opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë deklaruar se e mbështesin procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por sipas tyre, unifikimi i spektrit politik në Kosovë lidhur me dialogu varet nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri, Albin Kurti.

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, javën që shkoi nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për partitë opozitare, për takime veç e veç, për të folur, siç ka thënë ai, në “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.

Kurti nuk e kishte cekur se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita kishte vlerësuar si nismë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

Hoxhaj: Qeveria të ketë qëndrim të qartë për dialogun

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk i është përgjigjur ftesës së kryeministrit, Albin Kurti për takim, për shkak se nuk kishte precizuar se për çfarë do të bisedohej në atë takim.

“Nuk ka qenë preciz se për çfarë e kërkoi takimin. Kjo është e para. Ndërkaq, së dyti, ne mendojmë që qeveria duhet të ketë qëndrim të qartë për çështjen e dialogut, të ketë ndonjë platformë, të dijë qëllimin e dialogut dhe se çfarë pret qeveria nga dialogu. Pa këto, nuk ka kuptim që të takohem me Kurtin vetëm sa për të pasur një fotografi të përbashkët”, tha Hoxhaj.

Ai theksoi që çështja e konsensusit politik varet ekskluzivisht nga qeveria dhe shtoi se “ne mund të bisedojmë me përfaqësuesit e qeverisë rreth dialogut vetëm brenda kuvendit”, duke shtuar që procesi i dialogut me Serbinë është përgjegjësi vetëm e Qeverisë së Kosovës.

LDK-ja do ta mbikëqyrë dialogun

Teuta Sahatqija, anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radio Evropa e Lirë se lidhur me dialogun me Serbinë, duhet të kihen parasysh rezolutat të cilat Kuvendi i Kosovës i ka paraqitur, si dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cili e përcakton në mënyrë të qartë rolin udhëheqës të qeverisë në dialog.

Por, sipas saj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë në vazhdimësi konstruktive sa i përket çështjes së dialogut, dhe në këtë frymë është zhvilluar edhe takimi që javën e kaluar e ka pasur kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku me kryeministrin Kurti.

Siç thotë Sahatqija, Abdixhiku ia paraqitur kryeministrit Kurti një “letër të pozicionit”, në të cilën tregohen qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për sa i përket dialogut me Serbinë. Në këtë “letër pozicioni”, sipas saj, është kërkuar që të mos cenohet shtetësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës, si dhe kërkohet prezenca më e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.

Por, sa i përket unifikimit të spektrit politik lidhur me dialogun, sipas saj, e gjitha do të varet nga pozicionimi i kryeministrit Kurti përballë këtij procesi.

“Për unifikim nevojitet unifikimi i kryeministrit Kurti edhe i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse qasja e partive tjera asnjëherë nuk ka qenë kundër dialogut. Ndërsa LDK-ja është parti parlamentare, parti opozitare, parti e cila e ka të qartë rolin e vet. Do ta ketë rolin e fuqishëm në mbikëqyrje të dialogut, në kërkesa ndaj kryeministrit për raportime. Ndërkaq, pozicionin tonë e kemi edhe në formë të shkruar, të dorëzuar te kryeministri”, theksoi Sahatqija.

AAK-ja: I kemi dhënë sugjerimet tona

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh rëndësinë e dialogut, kjo parti i ka dhënë përkrahje dialogut dhe i ka dhënë sugjerimet e veta për qeverinë, të cilat lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka dërguar qeverisë përmes një letre. Sipas tij, procesi i dialogut nuk duhet të zhvlerësohet, por që përmes këtij procesi, të mbrohen interesat e Kosovës.

“Qasja ka qenë pozitive sa i përket diskutimeve për dialogun. Por, kjo do të varet nga qëndrimi i Qeverisë së Kosovës sepse përgjegjësinë kryesore e ka qeveria. Ndërsa, partitë politike dhe liderët institucionalë duhet të jenë bashkëpunues në këtë drejtim, në mënyrë që Kosova të ketë platformën e saj, të ketë një agjendë të saktë të bisedimeve dhe po ashtu të rezultojë me një angazhim , i cili ka rezultat”, theksoi Isufi.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës se a ka arritur që të unifikojë pozitën e Kosovës për dialogun dhe sa a është e gatshme për fazën e ardhshme të këtij procesi. Por, deri në publikimin e këtij teksti nuk është përgjigjur.

Përgjigje nga qeveria nuk ka pasur as në pyetjen se a mund të komentojë deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili të shtunën, më 29 maj, ka thënë se nuk do ta nënshkruajë pranimin e pavarësisë së Kosovës pavarësisht nga presionet, të cilat, siç ka thënë ai, do të jenë të mëdha para dhe pas vazhdimit të dialogut.

Krasniqi: Njohja e Kosovës, thelbi i procesit

Jeta Krasniqi nga Institutit Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti mbajti konsultime me partitë e opozitës për çështjen e dialogut dhe pas takimeve u konkludua se “duhet kohë që procesi i dialogut të ecë përpara”. Ajo shtoi se mbetet të shihet se në cilin drejtim do të vazhdojë dialogu, marrë parasysh që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se ai kurrë nuk do të nënshkruajë pavarësinë e Kosovës.

Tashmë, siç thotë ajo, nuk është e qartë se për çfarë do të diskutojnë të dy palët.

“Ky (njohja e Kosovës) është thelbi i këtij procesi, sepse që nga fillimi nuk dihej se çfarë do të arrihej. Nga ana tjetër, ne kemi BE-në, e cila nuk ka thënë publikisht se ky është proces për njohjen reciproke. Pra, kur Vuçiq thotë se nuk është i gatshëm ta nënshkruajë njohjen, atëherë lind pyetja se për çfarë po negociojnë palët. Kosova e ka statusin e zgjidhur dhe për këtë nuk ka se për çfarë të negociojë me Serbinë. Kështu që ajo për të cilën duhet të bisedohet është marrëveshja që nënkupton njohjen e ndërsjellë”, theksoi Krasniqi.

Janjiq: Deklarata për manipulimin e marrëdhënieve të brendshme politike

Duke e komentuar deklaratën e presidentit serb, Vuçiq, Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike thekson që “gjithmonë ekziston një lloj i politikanëve, që aktualisht janë Kurti dhe Vuçiq, të cilët qëllimin përfundimtar e potencojnë si diçka që duhet menjëherë ta zgjidhin”.

“Pranimi-mospranimi është qëllimi përfundimtar. Se a do ta nënshkruajë apo nuk do ta nënshkruajë dikush, është jorelevante, sepse kjo vjen në fund të procesit. Por, kjo është shumë e përshtatshme për manipulimin e marrëdhënieve të brendshme politike”, tha Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai konstaton se pranimi i Kosovës nga Serbia gjithsesi që është një nga temat e dialogut, por siç thekson ai, vetëm me zgjidhjen e statusit nuk do të arrihet deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është krizë rreth kontrollit të territorit, të resurseve dhe vetëm më pas shtrohet pyetja e pranimit, mospranimit dhe çështja e kufijve. Por, është e qartë se ata vendosin menjëherë çështjet përfundimtare në rendin e ditës. Aktrojnë para njerëzve të tyre ata që nuk dorëzohen. Ato qëllime përfundimtare duhet t’i largojnë deri sa të vijnë në radhë. Çfarë do të jetë pranim? Ajo që do të jetë rezyme e të gjithë dialogut. Ndërkaq, ata as që i kanë prekur temat e pretendimeve të ndërsjella. Nuk e kanë prekur as çështjen e formësimit të gjithë mekanizmit të pozitës së komunitetit serb, nuk e kanë prekur çështjen për paraqitjet e përbashkëta në ekonomi e kështu me radhë ”, shprehet Janjiq dhe shton se ai është i befasuar që ndërmjetësuesit në dialog marrin pjesë në politizimin e marrëdhënieve midis dy palëve.

Liderët e partive politike në Kosovë, kanë kërkuar që në procesin e dialogut Kosovë Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të ketë prezencë të shtuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të hënën, në Kosovë është duke qëndruar Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe i dëgjuari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të cilët po zhvillojnë takime me liderët institucionalë dhe politikë të Kosovës.

Krerët e dy partive opozitare në Kosovë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Enver Hoxhaj dhe Lumir Abdixhiku, kanë kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e përbashkët e Lajçakut me Palmerin në Kosovë, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, bëhet edhe për të dërguar mesazhin se SHBA-ja dhe BE-ja bashkëpunojnë ngushtë sa i përket dialogut dhe kanë qëllime të ngjashme për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq

Komisioni hetimor i propozoi Kuvendit shkarkimin e Presidentit Meta “për shkelje të rënda të Kushtetutës”

Ilirian Agolli

Komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e Presidentit të Republikës Ilir Meta miratoi sot raportin e hetimit njëmujor.

Sipas këtij raporti, Presidenti Meta duhet shkarkuar nga detyra, sepse gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit shkeli rëndë Kushtetutën me një deklaratash dhe veprimesh.

Zëdhënësi i Presidentit tha pas kësaj se parlamenti njëpartiak po mundohet me sulmet ndaj të largojë vëmendjen nga krimet zgjedhore të 25 prillit.

Raporti me hetimet trejavore u miratua sot njëzëri nga Komisioni hetimor parlamentar dhe brenda një jave pritet të kalojë për shqyrtim dhe votim në parlament.

Duke cituar një seri nenesh të Kushtetutës komisioni tha se gjeti tek qëndrimet e presidentit Meta shkelje të rënda që kanë të bëjnë me rolin e tij si përfaqësues i unitetit kombëtar, paanshmërinë e tij politike, me rrezikimin e marrëdhënieve SHBA – Shqipëri, duke sulmuar ambasadoren amerikane dhe shumicën socialiste, duke u përfshirë drejtpërdrejt në fushatën zgjedhore dhe nxitur dhunë dhe ndarje mes shoqërisë.

Në raport thuhet se presidenti ka përdorur thirrje luftarake, vetëgjyqësie, ka nxitur dhunën, duke shkelur paanësinë e tij në shërbim të opozitës.

Komisioni theksoi se presidenti ka rol ekuilibrues në jetën politike pa u përfshirë në garat partiake pa mbështetur njërin krah dhe as t’i kundërvihet palës tjetër.

Sipas raportit, presidenti bëri një fushatë zgjedhore kundër partisë në pushtet me të gjithë fuqinë, duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj socialistëve.

Presidenti Meta nuk u paraqit para këtij komisioni për shpjegimet e tij, edhe pse u ftua dy herë atje, duke e quajtur antikushtetuese veprimtarinë e tij.

Në një nismë të mëparshme po për të njëjtin qëllim, zoti Meta u paraqit në komisionin e ligjeve për të dhënë shpjegime paraprake, ndërsa në këtë proces të dytë nuk u bë e mundur paraqitja e tij në fazën e parë të kërkesës për shkarkim.

Komisioni i Venecias deklaroi në rastin e parë se shkeljet e presidentit nuk ishin të asaj shkalle sa të justifikohej shkarkimi i tij. Më pas një vendim të ngjashëm mori edhe komisioni hetimor.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, reagoi përmes rrjeteve sociale se zoti Meta do të ushtrojë detyrën e tij deri në korrik të vitit të ardhshëm si i vetmi institucion në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar.

Ashtu si edhe në deklarata të mëparshme, zëdhënësi tha se puna e komisionit hetimor është farsë antikushtetuese, që synon të mbulojë skandalet e zgjedhjeve.

Ai theksoi se presidenti nuk shqetësohet nga asnjë “vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore e Kuvendit njëpartiak, që përpiqet me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre”.

Shkarkimin e presidentit Meta e kërkuan 49 deputetë dhe tashmë në një kohë të shkurtër disajavore komisioni hetimor parlamentar paraqiti raportin në afatet e fundit të funksionimit të tij.

Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës parashikon që propozimi i sotëm i komisionit hetimor të miratohet në parlament nga së paku 94 vota deputetësh dhe më pas vendimi i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, të cilës i mbetet të thotë fjalën e fundit për këtë kërkesë.

Lumir Abdixhiku zyrtarizon kandidaturën e Përparim Ramës për kryetar të Prishtinës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka zyrtarizuar kandidaturën e arkitektit të njohur, Përparim Rama për kryetar të komunës së Prishtinës, shkruan Gazeta Express.

Ai ka thënë se me Ramën do të punojnë për problemet më bazike të kryeqytetit.

 

” Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim”, ka shkruar Abdixhiku në një postim në “Facebook”.

Më tutje Abdixhiku tha se me Ramën është takuar disa herë për të dikutuar për problemet me të cilat ballafaqohet Prishtina.

” Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion”, ka thënë më tutje ai.

Postimi i plotë:

Ju njoftoj me kandidatin e LDK-së për Prishtinën.

Përparim Rama është arkitekti e urbanisti më i njohur shqipar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare gjithandej nëpër botë. Përvoja e jashtëzakonshme e tij me punë në Londër tash e sa vjet e bën Përparimin një aset nacional të vendit; një përfaqësues të denjë të komuniteti profesional e shoqërisë në përgjithësi – brenda e në diasporë padallim.

I njohur për angazhimin e tij kryesor në planifikim hapësinor të Lojrave Olimpike në Londër në vitin 2012; për angazhimin e tij në ndërtimin e vizionit të Doha’s, kryeqytetit të Katarit; për projekte madhore në New York, Dublin, Bazel, Pragë e deri në Damask të Sirisë – Rama i Prishtinës mbanë një bagazh të mbresëlënës të shenjave që i mbijetojnë kohës.

Tani ka ardhë koha që ecjen e tij nëpër botë ta ndërpresim; e këtë bagazh të madh të tij ta kthejmë në qytetin e tij e tonin – në Prishtinë. Ky vend bëhet mirë kur më të mirët japin veten. Përparimi është i tillë.

Gjatë muajve të fundit kam takuar Përparimin disa herë. Kemi folur shtruar e qartë për problemet më bazike të Kryeqytetit. Për ngufatjen, ndotjen, ngarkesën e për dhënien e shpirtit të qytetit – të pamjes e përvojës, të hapësirës e komunitetit, të organizimit të vet jetës – të ndërtimit të Prishtinës në qytetin që e duam të gjithë. Kam qenë i mahnitur jo vetëm me dashurinë e tij ndaj Kryeqytetit por edhe me zgjidhjet e tij për problemet tona më bazike. Përparimi ka vizionin që e kërkojmë tash e sa kohë. Jam i bindur se do ta pranoni këtë vizion.

Kemi folur dhe për LDK-në e rrugëtimin që duam të ndërtojmë përpara. Bindjet e tij politike e ideologjike, me gjithë vullnetin e tij të madh për ndryshim, kanë kryqëzuar rrugët tona. Si profesionist i fushës, si emër ndërkombëtar, si aset i Prishtinës, kandiditimi i tij për Kryetar të Kryeqytetit është përputhje natyrale e vizioneve tona.

Pas autorizimeve që kam marrë nga degët tona, javën që vjen do t’i propozojë nominimin e tij Kryesisë sonë. Menjëherë më pas do të ndërtojmë e prezantojme edhe ekipin për qeverijse e për asamble. Nga aty do të ndërtojmë e prezantojmë zgjidhjet më praktike të problemeve  më kronike të qytetarëve tanë – një model krejt ndryshe deri më tani. Secili banorë i secilës lagje të kryeqytetit do të gjejë veten në këtë model. Fjalët boshe e zhurmat politike do të duken siç edhe vërtetë janë – të thata.

Përparim Rama, i lindur në Prishtinë, me prejardhje nga Gollaku, mbanë titullin magjistër shkence në fushën e urbanizmit e arkitekturës. Është edhe ligjerues në univeristete të ndryshme botërore; ndër të tjerash në ‘Nottingham University School of Architecture’ e në ‘University of East London’. Është anëtar i Associacionit të Arkitektëve të Britanisë. Është i martuar me Kristale Rama dhe ka tre fëmijë.

Përparimi i Prishtinës është edhe përparimi jonë që e kërkojmë tash e sa kohë. Qytetit po i japim një Kryetar që i jep shkëlqimin që e meriton; e LDK-së rikthimin e madh.

Kosova, në pritje të përgjigjes nga UNESCO

Manastiri i Graçanicës, që është i mbrojtur nga UNESCO-ja. Fotografi nga arkivi.

 

Bekim Bislimi

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Kosovës për të larguar katër monumentet e saja nga lista e objekteve që paraqesin trashëgimi kulturore të rrezikuar.

Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren janë katër monumentet që janë të renditura në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Kosova nuk është anëtare e UNESCO-s dhe e ka problem të kërkojë futjen apo ndryshimin e statusit të ndonjë monumenti të saj. Të katër objektet religjioze ortodokse janë të regjistruara në UNESCO me kërkesën e Serbisë. Mirëpo, ato në organin më të lartë botëror të trashëgimisë janë të regjistruara si monumente religjioze ortodokse.

Në vitin 2015 Kosova nuk ka pasur sukses të anëtarësohet në UNESCO pas një lobimi të ashpër të Serbisë dhe aleatëve të saj kundër këtij anëtarësimi.

Kërkesën nga institucionet e Kosovës për UNESCO-n, të dërguar më 21 maj, e kanë nënshkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, me arsyetimin se “rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006, kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara”.

Lidhur me rrethanat e ndryshuara, të cilat janë përmendur në letrën e dërguar UNESCO-s nga krerët institucionalë të Kosovës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo bazohet në faktin që, sipas tij, “të paktën, një dekadë nuk është raportuar asnjë incident serioz në kishat ortodokse”.

“Institucionet tona të sigurisë, në bashkëpunim me trupat ushtarake të KFOR-it, për vite me radhë kanë ofruar mbrojtje dhe siguri për kishat ortodokse në Kosovë. Viteve të fundit, kjo përgjegjësi i është bartur Policisë së Kosovës, e cila posedon njësi të veçantë që kujdeset dhe do të vazhdojë të kujdeset për këto monumente. Përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e të gjithë trashëgimisë kulturore të Kosovës, kryeministri Kurti e ka konfirmuar edhe nëpërmjet një letre drejtuar liderëve të botës”, ka thënë Kryeziu.

Në listën e monumenteve të rrezikuara nga viti 2006

Me vendimin e Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që nga viti 2004 e deri në vitin 2006, UNESCO-ja vendosi në listën e monumenteve të rrezikuara Manastirin e Deçanit, Patrikanën e Pejës, Manastirin e Graçanicës dhe Kishën e Shën Premtes në Prizren, për shkak të vështirësive për administrimin dhe ruajtjen e tyre, e të cilat, sipas arsyetimit të UNESCO-s, buronin nga paqëndrueshmëria politike e rajonit.

UNESCO i ka njohur këto katër objekte fetare ortodokse si monumente mesjetare në Kosovë dy vjet pas trazirave që kishin ndodhur në Kosovë, në marsin e vitit 2004, me ç’rast ishin dëmtuar një numër i objekteve fetare ortodokse.

Asokohe, Komiteti i Trashëgimisë Botërore kishte kërkuar që shteti palë, pra Serbia, të punojë me programet e UNESCO-s, me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe me, si i quante ky komitet, Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, për t’u kujdesur për monumentet.

Patrikana e Pejës. Foto nga arkivi.

Patrikana e Pejës. Foto nga arkivi.

Katër objektet fetare ortodokse, janë cilësuar se pasqyrojnë pikat e larta të kulturës kishtare bizantine-romane që u zhvillua në Ballkan midis shekujve 13 dhe 17, me stilin e veçantë të pikturimit në mur. Siç është përshkruar, Patrikana e Manastirit të Pejës është një grup prej katër kishave me kupolë, në periferi të Pejës, në të cilën janë të shfaqura një seri pikturash murale. Afresket e Kishës së Apostujve të Shenjtë të shekullit të 13-të janë pikturuar në një stil unik, monumental.

Afresket e hershme të shekullit të 14-të në kishën e Shën Premtes, përfaqësojnë pamjen e stilit të ri të ashtuquajtur Rilindjes Palaiologian, duke kombinuar ndikimet e traditave lindore ortodokse bizantine dhe perëndimore romane. Stili luajti një rol vendimtar në artin vijues ballkanik.

Si futet në listën “e rrezikut’ një monument?

Monumentet e trashëgimisë kulturore hyjnë në listën e “monumenteve të rrezikuara” pas vendimit të UNESCO-s, të cilit i paraprin një listë paraprake të cilën e përpilon Komiteti i Trashëgimisë Botërore me objektet apo monumentet që ky komitet i konsideron “në rrezik”.

Lista e monumenteve kulturore “të rrezikuara” është krijuar për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare për kushtet që kërcënojnë një monument si dhe për të inkurajuar qeveritë që të marrin masa për të mbrojtur ato monumente.

Për shembull, futja në listën e “të rrezikuarve” të një monumenti do t’i mundësonte Komitetit të Trashëgimisë Botërore të ndajë fonde për të ndihmuar në mbrojtjen atij monumenti. Ai gjithashtu do të lajmërojë komunitetin ndërkombëtar, i cili mund të kontribuojë me fonde ose ekspertizë teknike për të shpëtuar një vend të rrezikuar.

Nëse një monument i humb karakteristikat që e përcaktonin përshkrimin e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore, ai mund të fshihet si nga Lista e trashëgimisë botërore në rrezik e po ashtu edhe nga Lista kryesore e trashëgimisë botërore. Deri më sot, kjo ka ndodhur vetëm dy herë.

UNESCO pa investime në monumentet “e rrezikuara”?

Enver Rexha, drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson që largimi nga lista e monumenteve të rrezikuara të UNESCO-s, të katër objekteve religjioze ortodokse, është i rëndësishëm për Kosovën, për shkak se në këtë listë ato janë futur me kërkesë, sipas tij, politike të Serbisë.

Kërkesa e tillë, siç thotë ai, ndodhi pas trazirave të marsit në vitin 2004. Siç thotë ai, ka pasur pretendime nga Serbia që këto monumente të regjistrohen si monumente ortodokse serbe.

Por, sipas tij, kjo nuk ka ndodhur për shkak të reagimeve të institucioneve të atëhershme që kanë administruar Kosovën, reagimeve nga shtete tjera si dhe nga vetë Franca, si nikoqire e UNESCO-s. Si rrjedhojë, sipas tij, këto monumente janë regjistruar vetëm si monumente ortodokse.

“Këto monumente ortodokse janë sulmuar politikisht (në vitin 2004), mirëpo këtë nuk e kanë bërë institucionet. Duhet të bëhet këtu dallimi. Këto arsyetimet politike që kërkohen nga shteti ynë fqinj, Serbia, në këtë kuptim janë politike dhe nuk janë reale. Ne duhet të dëshmojmë – institucionet e shtetit dhe institucioni përgjegjës, Ministria e Kulturës dhe të tjera – që jemi të përgatitur, të dëshmojmë fuqishëm që ne dalim në mbrojtje të tyre, në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore dhe akteve tjera normative”, theksoi Rexha.

Manastiri i Deçanit.

Manastiri i Deçanit.

Rexha thotë se UNESCO-ja, në tri vjetët e fundit ka punuar dhe vazhdon të punojë me institucionet e Kosovës, por sipas tij, nuk ka pasur investime për katër monumentet që i ka në listën e “të rrezikuar”.

“UNESCO ka punuar me institucionet e Kosovës në Kështjellën e Novobërdës. Është një proces që ende vazhdon. Por, lidhur me çështjen e ‘rrezikshmërisë’ (për katër monumentet ortodokse), do të thotë, në këtë kuptim nuk janë ndarë fonde të drejtpërdrejta për këto katër monumente, në mënyrë që të vërtetohet fakti se ato janë ‘në rrezik’. Me sa di unë, një raport i tillë nuk ekziston as prej institucioneve tona dhe as prej ato ndërkombëtare”, theksoi Rexha.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar pyetjet UNESCO-s më 28 maj, lidhur me atë se a ka investuar në këto katër monumente, të cilat janë në listën e saj të monumenteve “të rrezikuara”. Por, deri në publikimin e këtij artikulli nuk është pranuar asnjë përgjigje.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani: Sot, Kosova arriti marrëveshje me Pfizer për mbi 1 milion e 213 mijë vaksina.

Presidentja e republikës të Kosovës Vjosa Osmani njofton përmes rrjetit social për marrveshje të Kosov¨s me Pfizer si më poshtë vijon:
“Sot, Kosova arriti marrëveshje me Pfizer për mbi 1 milion e 213 mijë vaksina.
Përkundër sfidave fillestare, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të institucioneve të Kosovës, do të kemi sasi të mjaftueshme të vaksinave për të filluar vaksinimin masiv të qytetarëve tanë.
Përgëzoj në veçanti Ministrinë e Shëndetësisë për këtë arritje të rëndësishme.
Me sigurimin e kësaj sasie të konsiderueshme të vaksinave, do të arrijmë të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe të trasojmë rrugën e sigurt për hapje të ekonomisë.
Deri në përmbylljen e vaksinimit masiv, ju ftoj që të kujdeseni për veten si dhe për më të dashurit tuaj.
Të kemi besim në njëri-tjetrin.
Të kemi besim se këtë sfidë të rëndë do ta tejkalojmë së bashku!”

Ish-gjyqtari i EULEX-it i shkruan Konjufcës, Kurtit e Osmanit, dëshiron të dëshmojë se si BE shtrembëroi drejtësinë në Kosovë

Ish-gjyqtari i EULEX’it, Malcolm Simmons, ju është drejtuar me një kërkesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani.

Simmmons përmes një shkrimi në llogarinë e tij në tëitter kërkoi që të dëshmojë para Kuvendit të Kosovës, shkruan Express.

 

Kjo sepse sipas tij, BE’ja shtrembërojë drejtësinë në Kosovë dhe Simmons është personi që mund ta vërtetojë këtë.

E sipas tij, vendimi për t’i dëgjuar këto ‘prova’ në Kuvend është një test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe për vetë Kuvendin.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Simmons:

Qëllimi im është që të jap prova në Parlamentin e Kosovës për mënyrën se si BE e ka shtrembëruar drejtësinë në Kosovë. Vendimi për t’i dëgjuar apo jo provat e mia do të jetë një test i rëndësishme për Parlamentin dhe për sundimin e ligjit në Kosovë.

Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë refuzon dialogun me Kurtin

Sandra Cvetkoviq

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar më 27 maj se është “krejtësisht e pakuptimtë” që të përgjigjet në letrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq. Në atë letër Kurti e kishte shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin Janjiq. Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti e ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë, për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së manastirit ”, thuhet në njoftimin e dioqezës.

“Ky vendim tash e pesë vjet është duke u injoruar me këmbëngulje, pavarësisht kërkesave për zbatimin e tij nga ana manastirit dhe institucioneve ndërkombëtare”, njoftohet në komunikatën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, më 26 maj ka thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.

“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, ka shkruar ministri Çeku në profilin e tij në Facebook, duke postuar një letër të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të dërguar më 20 maj, abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Në atë letër, përveç tjerash, thuhet që Qeveria e Kosovës do të kujdeset “për të gjitha monumentet tona (të kulturës), e në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.

Kryeministri Kurti, gjithashtu ka shprehur dëshirën që të vizitojë Manastirin e Deçanit dhe të bisedojë me abatin e manastirit, Sava Janjiq, duke theksuar se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet te mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve.

“Do të jem në pritje të përgjigjes për të përcaktuar detajet e vizitës”, thuhet në fund të letrës së kryeministrit Kurti.

Radio Evropa e Lirë, më 27 maj, e ka kontaktuar abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili na udhëzoi t’i drejtohemi sekretarit të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, Milosh Periq. Në një bisedë telefonike, Periq ka thënë se përgjigjen në pyetjen lidhur me dialogun e Qeverisë së Kosovës me Kishën Ortodokse Serbe do ta dërgojë me shkrim. Të njëjtën ditë, Kisha Ortodokse Serbe lëshoi një deklaratë.

Problemi me pronën në Deçan

Edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjitha palët, udhëheqja lokale në Deçan po refuzon që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.

Autoritetet e atjeshme lokale thonë se ajo pronë i takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe Iliria” dhe se asnjëherë nuk i ka takuar manastirit. Ata konsiderojnë që Gjykata Kushtetuese e ka legalizuar vendimin e Slobodan Milosheviqit, të vitit 1997, kur vendosi që atë pronë t’ia dhurojë manastirit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet lokale nuk e kanë ndryshuar qëndrimin dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk do të zbatohet.

“Në fakt, ai vendim e ka penguar zhvillimin tonë ekonomik. Tashmë nuk bëhet fjalë vetëm për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Janë mjaft konteste të cilat njëherë duhet të mbyllen”, ka thënë Ramosaj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se qeveria e kupton ndjeshmërinë e çështjes dhe se është e vetëdijshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por ai theksoi se duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjellë çështjen e tokave përreth manastirit, në aspektin historik dhe ligjor.

“Së pari, vendimi i Qeverisë së Serbisë, me të cilin në vitin 1997 iu dhanë tokat Manastirit ishte diskriminues, sepse ato toka ishin pronë e dy ndërmarrjeve publike. Së dyti, në kuptimin ligjor, Manastiri i Deçanit nuk ka identitet të pavarur ligjor sepse ligjërisht i përket Kishës Ortodokse Serbe. Është pak e habitshme se si iu njoh Manastirit e drejta e palës në procedurë, aq sa është edhe përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë proces, duke i dhënë të drejtë Manastirit. Çështja e pronësisë së tokave përreth Manastirit nuk ishte vendosur nga ndonjë gjykatë përkatëse dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të marrë vendim mbi një çështje pa u konsumuar të gjitha shkallët e tjera juridike”, theksoi Kryeziu.

Ai vlerësoi se Manastiri i Deçanit është pjesë e mozaikut të pasur kulturor të Kosovës. Por, sipas tij, “fatkeqësisht, Kisha Ortodokse Serbe është keqpërdorur vazhdimisht nga Serbia, si instrument politik kundër Kosovës”.

“Ne do të angazhohemi maksimalisht që të ruhen të drejtat legjitime të Manastirit, por edhe liderët fetarë të Manastirit duhet të bëjnë pjesën e tyre, duke kërkuar zgjidhje përmes marrëveshjeve me popullatën lokale”, tha Kryeziu.

Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë vazhdimisht i ka bërë thirrje Komunës së Deçanit dhe Qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë janë në pronësi të Manastirit të Deçanit.

Çështje delikate

Sociologu dhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri vlerëson se pozicioni i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është një çështje “delikate” sepse sipas tij, “përfshin shumë aktorë dhe interesa të niveleve të ndryshme fetare, historike, kulturore dhe politike”. Ai shton se kjo çështja duhet të adresohet nga Kosova dhe Serbia, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

“Pas vitit 2008, është diskutuar pak për këtë çështje për shkak të kompleksitetit të situatës, pothuajse gjithçka u la në përkufizimet e vendosura në Planin e Ahtisarit. Mendohej se kjo çështje do të ishte pjesë e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë”, tha Muhaxhiri.

Ai theksoi se nisma e kryeministrit Kurti për dialog me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe është e mirë sepse mund t’i kontribuojë krijimit të një atmosfere konstruktive dhe të përmirësimit të marrëdhënieve mes kësaj kishe dhe Qeverisë së Kosovës.

Muhaxhiri shton se mbrojtja e pronave të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë është politizuar dhe më shumë “zhurmë” është bërë në publik sesa që situata është e tillë në terren.

Ai thotë se një “zgjidhje specifike” do të gjendet për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë.

Në fund të prillit, në opinion doli një “non-paper”, ku thuhej se Kisha Ortodokse Serbe do të merrte një status të veçantë, si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.

Franca dhe Gjermania, që u dyshuan se qëndrojnë prapa këtij dokumenti, thanë se ky “non-paper” nuk ishte origjinal dhe se nuk pasqyronte asnjë nga qëndrimet e shteteve të tyre.

“Non-paper”, është një term që përdoret në BE lidhur me pikat e diskutimeve që ndahen në mënyrë konfidenciale ndërmjet qeverive dhe institucioneve.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Emërohen anëtarët e bordit të ARKEP-it

Kuvendi i Kosovës, të enjten, më 27 maj, emëroi kryetarin dhe anëtarët e Bordit të Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Naim Rrahimi është zgjedhur kryetar i bordit kurse anëtarë: Lule Ahmeti, Shkumbin Hamiti, Rrezrata Duraku-Riza dhe Arian Qorolli.

Anëtarët dhe kryetari i bordit të ARKEP-it, me rekomandim të ministrit i propozon qeveria dhe ata emërohen nga Kuvendi i Kosovës.
ARKEP është organi rregullator, i cili zbaton dhe mbikëqyrë kornizën rregullatore të përcaktuar nga Ligji për komunikime elektronike, nga Ligji për shërbimet postare, si dhe nga politikat e zhvillimit të fushës së komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare, të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës. rel

Shkarkohet bordi i AKP-së

RFE/RL

Me 65 vota për, 3 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës shkarkuan bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Ndërkaq, deputetët nuk kanë miratuar raportin vjetor të kësaj agjencie.

Me kërkesën e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuvendin e Kosovës, të enjten, u diskutua për raportin vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit si dhe shkarkimi i bordit të kësaj agjencie.

Komisioni parlamentar për ekonomi, industri, ndërmarrësi dhe tregti pas shqyrtimit të raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës mosmiratimin e këtij raporti dhe shkarkimin e bordit të agjencisë.

Ky Komision, po ashtu i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të propozojë përbërjen e re të bordit të AKP-së.

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se AKP-ja nuk i ka shërbyer ekonomisë së Kosovës dhe ka pasur performacë të dobët në raport me investimet për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Ajo ka thënë se mbi 90 për qind e ndërmarrjeve të privatizuara janë kthyer në depo apo hapësira për ndërtim. Një degradim i veçantë, sipas saj, ka ndodhur edhe me tokën bujqësore.

“Ndërprerja e funksionimit të bordit në përbërjen aktuale është domosdoshmëri për t’i hapur rrugë përzgjedhjes së një bordi profesionist, i cili brenda këtij viti do ta përmbyllë aktivitetin e AKP-së, do t’i përcjellë të gjitha rastet që kanë të bëjnë me procesin e likuidimit apo kontesteve që karakterizojnë procesin e privatizimit si dhe do të sigurohen që asetet e mbetura të paprivatizuara, të kthehen në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila.
Opozita: Nuk mund të shuhet agjencia pa ndryshuar ligjin

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se për ta shuar AKP-në duhet të ndryshohen të paktën dy ligje, përkatësisht Ligji për AKP-në dhe Ligji për dhomën e posaçme të Gjykatës së Apelit.

“Kë dëshiron ta mbyllësh. Nuk mund të mbyllësh pa i ndërruar këto ligje. Duhet të dihet e çfarë do të ndodhë me këto 20 mijë raste. Për të ditur, duhet analizë sepse ka shumë palë të përfshira dhe për këto 20 mijë raste janë qindra miliona euro në pyetje që mund t’i humbë Kosova”, tha Gashi.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelrad Tahiri tha se emërimi i një bordi të ri që thuhet se do të ketë mandat shuarjen e AKP-së, nuk mund të bëhet pa ndryshuar Ligjin për AKP-në.

“Për të shuar dhe për t’ia ndërruar mandatin AKP-së, atëherë do të duhej të procedohej ligji i cili do të propozonte në dispozita kalimtare edhe një bord të përkohshëm, i cili do të kishte mandatin e qartë, pra përmbylljen e punës së AKP-së, një proces i rëndësishëm. Këtë bord që do ta votoni sot, nesër … nuk mund të kryejë një punë të tillë sepse nuk e lejon ligji, dhe në momentin që del përtej këtyre kornizave ligjore, ata (anëtarët e bordit) bëjnë vepër penale”, tha Tahiri.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se duke qenë se për këtë çështje duhet të amendamentohen dy ligjet, kërkohet një raport dhe një analizë para se të merret vendimi, por jo në këtë formë.

Sipas tij, kjo formë e trajtimit të kësaj çështjeje, e kthen Kosovën prapa.

“Janë diku rreth 3.000 lëndë në gjykatat themelore të Kosovës. Pyetja ime e parë është se cili është roli i shtetit dhe qeverisë në këtë temë dhe si do ta trajtojë. Janë mbi 20 mijë lëndë në dhomat e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës. Janë të paprivatizuara 817 lloje tjera të asteve. Si do të trajtohen?. Pastaj ka kërkesa kreditore të Trepçës, 1.6 miliard euro si do të trajtohet?”, u shpreh Tahiri.

Kurti: Bordi i AKP-së duhet të shkarkohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës tha se bordi i AKP-së duhet të shkarkohet, me qëllim të emërimit të një bordi të ri, i cili sipas tij, do të fillojë me procedurat për shuarjen e këtij institucioni.

“Që të shuhet AKP-ja është e rëndësishme të shkarkohet bordi. Dy dekada të pasluftës janë dekada të de-industrializimit nëpërmjet privatizimit dhe kjo do të marrë fund. Kjo është arsye pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”, tha Kurti.

Armend Muja, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nga raporti i Agjencisë së Privatizimit të Kosovës, të cilin e kanë pasur në diskutim të mërkurën në Komisionin për Ekonomi ekzistojnë fakte të cilat tregojnë për një dëm që i është bërë ekonomisë nga procesi i privatizimit.

“Në kuadër të raportit kemi gjetur disa fakte që kërkojnë reagim emergjent. E para prej 500 ndërmarrjeve që janë shitur kanë gjeneruar 600 milionë euro. Në vendet e rajonit, Evropës Qendrore e Lindore për një ndërmarrje të vetme janë gjeneruar 500 milionë euro. Këto kanë qenë 90 për qind të ekonomisë së Kosovës e që si rezultat i një privatizimi të dobët janë humbur 40 mijë vende pune”, tha ai.

Futja në rend dite e raportit të AKP-së dhe kërkesa për shkarkimin e bordit është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kosovë.
AKP: Kritikat për performacë të dobët, të pabaza dhe tendencioze

Një ditë më parë, bordi i AKP-së, përmes një reagimi publik ka konstatuar se deklaratat publike në lidhje me performancë të dobët, janë të pabazuara dhe tendencioze, andaj si të tilla i kanë konsideruar qëndrime politike të vetëm një grupi parlamentar.

“Bordi e fton publikisht Mimoza Kusari-Lila dhe gjithë deputetët e GP të LVV brenda Komisionit, që të bëjnë publike se cila pjesë konkrete e raportit vjetor të punës arsyeton qëndrimin e tyre për mungesë të performancës së Agjencisë. Është për keqardhje që në mungesë të fakteve dhe argumenteve për vlerësim profesional të raportit vjetor, deputetët e një grupi parlamentar përdorin argumente politike të çuditshme, të përgjithësuara dhe të pakuptueshme për ne dhe opinionin publik, duke tentuar që të njollosin punën me përkushtim të gjithë stafit të Agjencisë, e cila është zhvilluar në rrethana jo të lehta të cilat e kanë karakterizuar vitin 2020”, thuhet në reagimin e bordit të AKP-së.

Qeveria e Kosovës në planin qeverisës katërvjeçar ka paraparë që AKP-ja të shuhet dhe të transfermohet në agjenci brenda qeverisë dhe të krijohet Agjencia Zhvillimore për udhëheqjen e politikave zhvillimore ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura.

Pasuria e Kosovës, sipas planit të qeverisë do të mbrohet përmes krijimit të Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.

Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 dhe vazhdimisht është kritikuar për mostransparencë, korrupsion e në disa raste është cilësuar edhe si proces i “shkatërrimit” të ndërmarrjeve shoqërore. Ky proces ka filluar nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM). Në vitin 2008 është pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Në Kosovë, nga 3.951 asete të identifikuara, deri më tani janë privatizuar 1.762 prona, ndërkaq të pa privatizuara kanë mbetur edhe 2.189. Këto prona, në 116 valë të privatizimit janë shitur në vlerë prej rreth 760 milionë euro.

Ndërmarrjet shoqërore në Kosovë janë shitur përmes metodës të quajtur spin-off i rregullt, metodë kjo që lejon ndryshimin e destinimit të ndërmarrjes. Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha janë privatizuar me metodën spin-off special, që nuk lejon ndërrimin e destinimit të ndërmarrjes.

Gjatë këtij procesi janë shitur edhe toka bujqësore, industriale, komerciale dhe toka ndërtimore. Në raportin e AKP-së, të publikuar në korrik të vitit të kaluar, thuhet se janë privatizuar 840 toka të këtyre kategorive.

Dënohet me burgim të përjetshëm vrasësi i Donjeta Pajazitajt

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me burgim të përjetshëm të pandehurin me inicialet N.P, për veprën penale “vrasje e rëndë”, përkatësisht për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës, më 9 nëntor, 2015, në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, i pandehuri N.P, e kishte marrë me veturë viktimën, e cila ishte nisur për në punë dhe e kishte dërguar në drejtim të bjeshkëve të Strellcit.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri “në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta” kishte vrarë Donjeta Pajazitajn, duke shtënë me armë zjarri dy herë në kokë.

Trupi i pajetë i Pajazitajt, u gjet më 17 dhjetor të vitit 2015.

I pandehuri me inicialet N.P. është kushëri i familjes Pajazitaj.

Ai fillimisht ishte liruar nga akuzat për mungesë të provave. Në mars të vitit 2019, N.P u gjet fajtor dhe u dënua me burg të përjashtëm, por rasti u kthye në rigjykim.

Gjykata Themelore e Ferizajt thotë se palët kanë afat prej 15 ditësh që ta apelojnë vendimin, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit në Prishtinë. rel

Kurti sqaron në Kuvendin e Kosovës: Do e mundësojmë reciprocitetin ndaj Serbisë, por na duhet kohë që mos dështojmë

KOSOVA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka sqaruar në Kuvend se qeveria e tij nuk është tërhequr nga reciprociteti.

Ai deklaroi se është për reciprocitet ndaj Serbisë, por për ta zbatuar atë duhet kohë. Sipas tij kjo kohë do të vlejë në mënyrë që Kosova mos dështojë në vendosjen e reciprocitetit.

Kurti thekson se masa nuk do të vendoset si shenjë hakmarrjeje ndaj Serbisë, por si parim barazie dhe do të zbatohet në kohën kur të jetë gati për zbatim të plotë.

“Se jemi për reciprocitet kjo nuk do mend, por ajo çka do të bëjmë është ta mundësojmë atë. Para një muaji është miratuar propozimi që unë kam marrë për drejtorin e ri të doganave, tash Kosova ka drejtor të ri të doganave, Serbia përgjithësisht bën barreriera sporadike ndaj mallrave të Kosovës. Për ta zbatuar reciprocitetin për të cilin jemi zotuar duhet tu bëjmë ballë barrierave sporadike dhe sistemike. Na duhet kohë që ta zbatojmë reciprocitetin në mënyrë që të mos dështojmë. Jemi Qeveria e parë që merret me reciprocitetin. Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, por si parim që del nga parimi i barazisë. Ne do ta zbatojmë reciprocitetin në kohën kur jemi të gatshëm për zbatimin e plotë të tij”, u shpreh Kurti.

Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku: Pa SHBA-në s’duhet të ketë dialog me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë. Këto deklarata i pari i LDK-së i ka bërë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, pas takimit që zhvilloi të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. “Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut. “Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GJND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.

Sa i përket çështjes së reciprocitetit me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti ka ndryshuar pozicion në dialog për këtë proces dhe kauza të tjera që i ka pasur para se të bëhej kryeministër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë nisi takimet me krerët e opozitës. Të martën ai zhvilloi një takim me udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Kreu i AAK-së, gjatë takimit po ashtu ka kërkuar që në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja të ketë një përfaqësues.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim. Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kryeministri Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

Qeveria: Në Kizhevak u zhvarrosën mbetje mortore të të paktën nëntë personave

RFE/RL

Në Kizhevak të Serbisë është përmbyllur procesi i gërmimit dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore dhe sipas Qeverisë së Kosovës, janë zhvarrosur të paktën mbetjet mortore të të paktën nëntë personave.

Mbetjet mortore të dy personave janë identifikuar tashmë përmes metodës së ADN-së, njofton Qeveria.

Në Kizhevak të Rashkës gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës në Kosovë nisën vitin e kaluar, por u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike. Ato rifilluan më 5 maj dhe zgjatën deri më 26 maj.

Në këto gërmime kanë marrë pjesë ekspertët mjeko-ligjorë të Kosovës, krahas atyre të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertë të EULEX-it, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të vazhduar punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të pagjeturve, trajtimit më të mirë ligjor dhe institucional familjeve të​ tyre dhe vendosjen e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë.

Kosova regjistron një viktimë dhe 11 raste me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën një viktimë me koronavirus.

Viktima është nga Prizreni, 67 vjeç.

Sipas këtij institucioni, në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 raste të infektimit me këtë virus, pas testimit të 3,291 mostrave.

IKSHPK-ja ka njoftuar se më 25 maj janë shëruar 258 pacientë nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, derisa raste aktive janë 3,303.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,725 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,241 kanë vdekur.
Dy persona duke pritur që të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Në Kosovë është në zhvillim e sipër faza e dytë e vaksinimit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.

Në fazën e parë që ka nisur në fund të marsit, përparësi u është dhënë punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç.

Në fazën e tretë, ndërkaq është thënë se do të vaksinohen 50 për qind e qytetarëve.

Kosova po zhvillon fushatën e imunizimit me vaksina të dhuruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Bashkimi Evropian.

Ky vend nuk ka të nënshkruar asnjë kontratë për blerje vaksinash nga ndonjë kompani farmaceutike.

Haradinaj kërkon nga Kurti praninë e amerikanëve në dialog

RFE/RL

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, praninë e një përfaqësuesi të Shteteve të Bashkuara në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Takimi mes Haradinajt dhe Kurtit është realizuar të martën pas ftesës që kryeministri Kurti u ka dërguar tre liderëve të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, për siç ka thënë, bisedë për “shërbim të mirinformimit dhe bashkërendimit të spektrit politik për çështje në interes të Kosovës”.

Ai nuk ka cekur konkretisht se për çka do të bisedohet, mirëpo opozita e ka parë këtë thirrje si iniciativë të Kurtit për të folur për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.

“Ajo që po hetojmë është mungesa e prezencës së Shteteve të Bashkuara në dialog, mendojmë se kjo është situatë jo e mirë për Kosovën, e prish balancin e interesave të Kosovës në dialog. Do të ishte shumë me dobi një emisar, një i ngarkuar nga SHBA-ja, në këtë rast nga presidenti (amerikan) Joe Biden që të ngarkojë dikë që përfaqëson Amerikën në temën e dialogut” ka thënë Haradinaj.

Sipas një komunikate të kryeministrisë, Kurti e ka njoftuar Haradinajn për takimet që ka pasur me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe për përgatitjet për procesin e dialogut të ardhshëm me Serbinë.

Të mërkurën është paralajmëruar takimi mes Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, derisa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim.

Në muajin qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Vetë Kurti ka theksuar disa herë se nuk do të zhvillojë takimet në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, pa u konsultuar me spektrin politik në Kosovë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së, ka nisur më 2011 në Bruksel.

“Shtëpia ruse” në mision në Kosovë

Sandra Cvetkoviq, Bekim Bislimi

Një delegacion nga Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë me qendër në Beograd, “Shtëpia ruse” (Ruski dom), vizitoi Kosovën javën e kaluar për t’u takuar me përfaqësuesit serbë, përfshirë ministrin e Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe, Igor Simiq.

Ata diskutuan për “çështje të shumta të zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet arsimore, kulturore dhe sociale lokale”. U tha që disa marrëveshje të arritura në Kosovë do të forcojnë pozicionin e gjuhës ruse “në këtë rajon dhe promovimin e arritjeve të Rusisë në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës”. Delegacioni i Qendrës Ruse në Kosovë gjithashtu u takua me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe në Graçanicë dhe Deçan.

Vizita në Kosovë e delegacionit të "Shtëpisë ruse".

Vizita në Kosovë e delegacionit të “Shtëpisë ruse”.

Në komunikatën e Qendrës ruse për Shkencë dhe kulturë thuhet se vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” është zhvilluar me mbështetjen e “Zyrës në Prishtinë të Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Serbisë”.

Zyra e Federatës Ruse gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar kësaj zyreje, lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse” në Kosovë, me pyetjen se cili ka qenë qëllimi i kësaj vizite, për çka konkretisht është arritur marrëveshja në takimet që janë mbajtur. Por, nga kjo zyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse kanë qenë në dijeni për qëndrimin dyditor të delegacionit të Qendrës Ruse në Kosovë dhe ka kërkuar një koment lidhur me këtë vizitë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu është përgjigjur shkurt.

“Jemi njoftuar ndërkohë për takimin, por si Zyre e Kryeministrit nuk kemi qenë të informuar zyrtarisht për të”, ka thënë Kryeziu në një përgjigje me shkrim.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen se a është e njoftuar lidhur me vizitën e delegacionit të “Shtëpisë ruse”, por deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Rusia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron që territori i saj është pjesë përbërëse e Serbisë.

Çka është “Shtëpia ruse”?

Qendra Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd, është përfaqësi e agjencisë federale “ROŠOTRUDNIČESTVO” (ROSHOTRUDNIÇESTVO) në Serbi.

Kështu thuhet në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate, qëllimi themelor i të cilës është “forcimi i lidhjeve miqësore, kulturore, lidhjeve ndërkombëtare të dy vendeve vëllazërore – Rusisë dhe Serbisë”.

“ROŠOTRUDNIČESTVO” është agjenci e themeluar në vitin 2008, në harmoni me dekretin e presidentit të Federatës Rusë. Fokusi i kësaj agjencie është në zbatimin e politikës shtetërore për bashkëpunimin ndërkombëtar si dhe promovimin e “kuptimit objektiv të Rusisë moderne në botë”.

Agjencia “ROŠOTRUDNIČESTVO” funksionon në 80 vende në mbarë botën.

Në krye të Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse” në Beograd është Jevgenij Boranov. Ai ka qenë gazetar raportues nga ish-Jugosllavia, ndërkaq në vitin 2001, atij iu dha urdhri “ Për trimëri”.

Ai është fitues i çmimit “TEFI” të televizionit kombëtar rus, për një raport të veçantë mbi hulumtimin e trafikimit të organeve të serbëve të rrëmbyer në Kosovë në periudhën nga 1998 deri në 2001.

Pas vizitës në Kosovë, Baranov, më 24 maj është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Siç është njoftuar, ministri serb Vulin, me atë rast, ka theksuar se e vlerëson nismën e Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë, për çështjen e zhvillimit dhe forcimit të bashkëpunimit me institucionet serbe të arsimit, kulturës dhe institucioneve humanitare në Kosovë.

Ministri i Mbrendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin gjatë takimit me drejtorin e Qendrës ruse për Kulturë, Jevgenij Baranov. Beograd, 24 maj, 2021.

Ministri i Mbrendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin gjatë takimit me drejtorin e Qendrës ruse për Kulturë, Jevgenij Baranov. Beograd, 24 maj, 2021.

Çfarë marrëveshje ka bërë “Shtëpia ruse” gjatë vizitës në Kosovë?

Siç thuhet në një komunikatë të “Shtëpisë ruse”, të datës 20 maj, përveç tjerash është nënshkruar edhe Marrëveshja për bashkëpunim me Universitetin në Mitrovicë , i cili funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Rektori i Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq dhe drejtori i “Shtëpisë ruse”, Jevgenij Baranov, kanë konkluduar se realizimi i programeve të parapara në marrëveshje “pa dyshim se do të japë rezultate në fushën e fuqizimit të pozitës së gjuhës ruse në këtë rajon (Kosovë) dhe promovimin e të arriturave të Rusisë në sferën e arsimit, kulturës dhe shkencës”.

Kjo theksohet në komunikatën zyrtare të Universitetit të Mitrovicës së Veriut dhe Qendrës Ruse për Shkencë dhe Kulturë “Shtëpia ruse”.

Në takimin ndërmjet drejtorit të Qendrës ruse, Jevgenij Baranov dhe rektorit të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, Zdravko Vitosheviq, kanë qenë të pranishëm edhe Goran Rakiq dhe Igor Simiq, drejtues të Listës Serbe, parti kjo e cila merr pjesë në institucionet lokale dhe qendrore në Kosovë dhe e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Kjo shihet edhe në fotografitë që janë publikuar në faqen e internetit të Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë me Rakiqin dhe Simiqin, për të marrë deklaratat e tyre lidhur me takimin me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, por ata kanë qenë të paqasshëm.

Prorektori i Universitetit të Mitrovicës së Veriut, që është i ngarkuar me çështjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, Jovan Baziq, konfirmoi për REL-in se ky universitet më 18 maj arriti një marrëveshje bashkëpunimi me delegacionin e “Shtëpisë ruse”, marrëveshje e cila parasheh bashkëpunim me universitetet ruse në fushën e shkencës, kulturës dhe artit.

“Marrëveshja e bashkëpunimit përfshin pjesëmarrjen e përbashkët në realizimin e programeve të ndryshme arsimore, të kërkimeve shkencore, projekteve në fushën e artit, konferencave shkencore, seminareve, programeve të zhvillimit profesional, mësimit të gjuhës ruse dhe të ngjashme”, tha Baziq.

Përveç takimit me përfaqësuesve të Universitetit në Mitrovicën e Veriut, delegacioni i “Shtëpisë ruse” është takuar në Kosovë edhe me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe.

Në Manastirin e Graçanicës, i cili gjendet rreth dhjetë kilometra larg Prishtinës, është mbajtur një takim i delegacionit rus me peshkopin e Rashkës-Prizrenit, Teodosije.

Siç është thënë, në atë takim është folur edhe për çështjet “e karakterit humanitar”, ndërkaq që delegacioni rus, më pas, ka vizituar edhe Manastirin e Deçanit, në mënyrë që peshkopit të këtij manastiri, Sava Janjiqit, t’i ofrojë mbështetje, për shkak të “presioneve të vazhdueshme, të cilat autoritetet e Prishtinës i ushtrojnë mbi Manastirin dhe vëllazërinë e tij”.

Në komunikatë është përkujtuar që Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë i ka dënuar ashpër tentimet që shenjtërit serbe të pranohen si “trashëgimi e Kosovës”.

Hoti: Mbështetja e Rusisë përmes Beogradit, e pritshme

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, thotë se është e pritshme që Rusia me të gjitha format ta mbështesë Serbinë dhe shton se një nga komponentët ku shfaqet kjo mbështetje është edhe ndihma e Rusisë për serbët në Kosovë.

“Siç duhet tashmë, në veçanti Lista Serbe kontrollohet në mënyrë direkte nga Beogradi. E kjo nënkupton se përmes autoriteteve të Beogradit, normalisht komunikohet edhe drejtpërdrejt me Rusinë. Sipas mendimit tim, kjo nuk paraqet asnjë të re sepse raporti i Serbisë dhe i serbëve në Kosovë me Rusinë ka qenë edhe në të kaluar, është edhe sot dhe sipas bindjeve time, pavarësisht proceseve të integrimeve evropiane, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, tha Hoti.

Drejtori i Qendrës Rajonale në Novi Sad, Aleksandar Popov, vlerëson që vizita e delegacionit të “Shtëpisë ruse” nuk do ta forcojë dhe as nuk do ta dobësojë ndikimin e Rusisë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë. Ai thekson që kjo vizitë është “krejtësisht normale, sepse në mjediset serbe sundon ndjenja pro-ruse”.

“Në qoftë se Beogradi është ai që e prezanton Rusinë si mbrojtësen kryesore të Serbisë dhe si mbrojtësen kryesore kur bëhet fjalë për Kosovën, atëherë është krejtësisht normale që të takohen përfaqësuesit e serbëve me qytetarë që nuk bartin kurrfarë funksioni. Ata Rusinë e shohin si një mbrojtëse të tyre Këshillin e Sigurimit dhe ajo (Rusia), në skenën publike angazhohet që Kosova të mbetet në kuadër të Serbisë”, theksoi Popov për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se Rusia ka qëndrim të qartë kur bëhet fjalë për Kosovën dhe shtoi se “Rusia përfaqëson interesat e Serbisë çdo herë”.

“Kjo është ajo linja e ndikimit edhe në Ballkan. Ndonëse, nëse e shoh në esencë, Serbia ka fare pak përfitim nga kjo, përveç nëse heq dorë nga rruga evropiane dhe nëse Amerika edhe më tej do të mbështesë disa gjëra ose jo. Në atë rast, ai ndikim është i rëndësishëm, përndryshe, kur bëhet fjalë për negociatat (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), të cilat tash do të hyjnë në fazën intensive, ajo është tërësisht në duart e SHBA-së dhe BE-së”, theksoi Popov.

Rusia kishte ofruar ndihmë humanitare për komunitetin serb në Kosovë më 2011, kur nën udhëheqjen e liderëve dhe qytetarëve lokalë në veri të Kosovës, u ngritën barrikada me qëllim që të kundërshtohej integrimi në sistemin e Kosovës i katër komunave të banuara me shumicë serbe (Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit).

Pavarësisht se pati dyshime se ndihma ruse nuk ishte vetëm humanitare, megjithatë një gjë e tillë nuk u provua kurrë. Një dërgesë me 27 kamionë hynë në Kosovë në atë kohë. Ky konvoj u lejua që të hynte nga KFOR-i pasi për tri ditë qëndroi në kufi. Kjo dërgesë më pas u shoqërua për në Kosovë nga ambasadori i atëhershëm rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, i cili së bashku me anëtarët serbë të organizatave të krahut të djathtë shkuan në veri të Kosovës.

Kosova do të marrë vaksina edhe nga disa shtete të BE-së

RFE/RL

Liderët e Bashkimit Evropian, gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, kanë paralajmëruar se deri në fund të vitit, blloku do të dhurojë së paku 100 milionë doza vaksinash në vendet më pak të zhvilluara, ku do të përfitojë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Kroacia ishte vendi i parë që bëri publike dhënien e një donacioni prej 10.000 dozave të vaksinës për Kosovën dhe një sasie tjetër dhe për Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën. Pikërisht këto tri shtete të rajonit janë duke ngecur më së shumti në procesin e vaksinimit.

Burimet nga BE-ja kanë paralajmëruar se Austria, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia, së shpejti do të japin falas vaksina për këto shtete të rajonit. Kosova pritet që të përfitojë një numër të konsiderueshëm të vaksinave, që do të jepen donacion nga këto shtete. Nga këto donacione do të përfitojnë edhe Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi.

Këto donacione të vendeve anëtare të BE-së do të jenë doza shtesë pas më shumë se 600.000 dozave që BE-ja tashmë ka ndarë për vendet e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë, disa vende të tjera të BE-së janë duke rritur donacionet për shtete të ndryshme. Rumania ka përqendruar ndihmën e saj drejt vendeve në fqinjësinë lindore, sidomos duke dhuruar vaksina Moldavisë. Po ashtu priten donacione edhe për Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Spanja dëshiron më shumë ndihmë për vendet e Amerikës Latine, ndërsa Franca për shtetet e Afrikës së Veriut.

Pos donacioneve, pritet që së shpejti disa vende të BE-së të kenë mundësi edhe t’i shesin vaksinat të cilat u takojnë atyre nga sasia e kontraktuar nga ana e Bashkimit Evropian.

BE-ja ka ndarë edhe 70 milionë euro për vendet e rajonit, me qëllim që t’u ndihmojë në sigurimin e vaksinave. Nga këto mjete mund të paguhen edhe vaksinat të cilat mund të shkojnë nga shtetet e BE-së. Por, shumë prej këtyre shteteve, vaksinat që do t’i dhurojnë do t’i paguajnë nga buxhetet e tyre.

Në kohën kur procesi i vaksinimit në BE po shkon mirë dhe shumë shtete tashmë i janë afruar shifrës prej 50 për qind të qytetarëve të moshës madhore të vaksinuar së paku me një dozë, BE-ja dëshiron të ndihmojë përshpejtimin e vaksinimit edhe në vendet fqinje, sidomos në ato të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse në rajon situata epidemiologjike duket mjaft e mirë, ditëve të fundit në BE-ja tërheqin vërejtjen se në rast se gjatë verës nuk merr hov procesi i vaksinimit, vala e re e pandemisë mund të kthehet në vjeshtë, siç kishte ndodhur edhe vitin e kaluar.

Shpërthim në një minierë në Bulqizë, plagoset minatori. Niset me helikopter drejt Tiranës

Një shpërthim është regjistruar sot në një minierë në Bulqizë, ku për pasojë është plagosur një minator. Ai është nisur me helikopter drejt Tiranës.

Mësohet se punonjësi i plagosur është 36 vjeç, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tij.

Deri tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes në fjalë. bw

COVID-19 në Kosovë, dita e dytë rresht pa viktima, ja sa janë rastet e reja

Kosova ka regjistruar ditën e dytë rresht pa viktima nga virusi COVID-19.

Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se të infektuarit në 24 orët e fundit janë 31, ndërsa lajmi i mirë është se gjatë kësaj kohe, janë shpallur të shëruar 95 qytetarë.

Harta e infektimeve kryesohet nga Prishtina, e cila ka regjistruar 9 raste, e ndjekur nga Gjilani me 5, Mitrovica me 3, Podujeva 4, Ferizaj 2, Prizren 2, Vushtrria 2 dhe me nga një rast komunat e tjera të vendit.

Autoritetet apelojnë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë masat e vendosura prej tyre, për frenimin dhe parandalimin e sëmundjes së rrezikshme.

Njoftimi i plotë i autoriteteve:

ASNJË RAST I VDEKJES, 31 RASTE POZITIVE DHE 95 TË SHËRUAR NGA COVID-19!

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.012 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 31 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.

Numri total i rasteve pozitive është 107.244 raste nga 591.824 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.239 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.374 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.631.

Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 9 raste, Gjilan 5 raste, Mitrovicë 3 raste, Podujevë 3 raste, Ferizaj 2 raste, Prizren 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Fushë-Kosovë, Kaçanik dhe Obiliq.

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën! Respektoni distancën!

Papunësi e madhe, por shumë kompani nuk po gjejnë punëtorë

Nadie Ahmeti

Në kohën kur në Kosovë afërsisht një e treta e popullsisë që është e aftë për punë, por nuk ka një vend pune, shumë kompani ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë.

Problemi më i madh mbetet gjetja e punëtorëve sezonalë, sidomos në agrikulturë, si dhe gjetja e punëtorëve të kualifikuar për kryerjen e punëve më specifike.

Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovë është rreth 25 për qind.

Një biznes që përballet me vështirësi në gjetjen e punëtorëve pa ndonjë kualifikim arsimor, është edhe një fermë që merret me kultivimin e dredhëzave, që gjendet në një fshat malor në Komunën e Prishtinës.

Xhema: Punëtorët ikin pas dy-tri ditësh

Fermeri Lulzim Xhema ka të kultivuara rreth 60 ari sipërfaqe me dredhëza, në fshatin Dabishevc të Komunës se Prishtinës. Xhema, i cili tashmë është në proces të grumbullimit dhe shitjes së këtij produkti, tregon se çdo sezonë ka mungesë të madhe të punëtorëve.

Ai thotë se aktualisht në fermë punojnë katër anëtarë të familjes dhe katër punëtorë nga fshati i tij, por që i nevojiten edhe gjashtë punëtorë. Gjatë ditës, thotë ai, punëtorët duhet të punojnë gjashtë orë, me një rrogë mesatare prej 450 euro në muaj.

“Sivjet jam duke punuar vetëm me dredhëza, vitin e kaluar kam punuar edhe me domate. Gjetja e punëtorëve është problem jashtëzakonisht i madh. Kanë ardhur dy-tri ditë dhe kanë shkuar, nuk kanë ardhur të punojnë më. Edhe përkundër pagesës së mirë që u kam ofruar, nuk kanë pranuar të punojnë. Unë nuk kam problem me shitjen e produkteve, sa kam kërkesë nuk po arrij të mbledh dredhëza. Problemin e kam me mungesë të punëtorëve”, thotë Xhema për Radion Evropa e Lirë.

Dredhëzat e mbjella nga Lulzim Xhema.

Dredhëzat e mbjella nga Lulzim Xhema.

Fshati Dabishevc shtrihet në zonën veri-lindore të Kosovës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Ky fshat, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, numëron 108 banorë, me 43 shtëpi.

Lulzim Xhema thotë se një nga arsyet e mungesës së punëtorëve është edhe braktisja e fshatit nga banorët lokalë.

“Problemi ndoshta mund të jetë se gjendemi në një zonë më të thellë malore, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Madje edhe fshatrat tjerë përreth kanë numër të vogël të banorëve. Një nga vështirësitë për punëtorët ndoshta mund të jetë edhe largësia dhe udhëtimi”, thekson ai.

Uka: Problem gjetja e punëtorëve të kualifikuar

Derisa në fermën e dredhëzave, për të siguruar një vend pune nuk kërkohet ndonjë kualifikim adekuat, një kompani tjetër ka problem me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, në një industri më specifike.

Agon Uka nga kompania “Ikonë Studio”, që merret me prodhimin e videove të ndryshme, filmave, reklamave për tregun brenda dhe jashtë Kosovës, aktualisht ka 110 punëtorë, kurse është në proces të punësimit edhe të 70 punëtorëve.

Pozitat e ofruara janë video-editorë. Uka thotë se për këto pozita kanë aplikuar 100 persona, por problem paraqitet kualifikimi dhe përvoja e tyre në fushën e kërkuar.

“Nuk jemi shumë të kënaqur, disa kandidatë përmbushin kërkesat tona, por edhe me kandidatët që shohim pak potencial, mundohemi që të mbajmë trajnime paraprakisht, në mënyrë që edhe ata të jenë në gjendje të hyjnë në procesin e rekrutimit”, thekson Uka.

Uka thotë se paga mesatare për këto pozita është nga 700 deri në 800 euro. Për këtë, sipas tij, interesimi është i madh, por vështirë plotësohen kriteret e kërkuara.

“Një nga kriteret e kërkuara në konkurs është edhe njohja e gjuhës angleze, për shkak të komunikimit të vazhdueshëm që duhet të kenë me klientët ndërkombëtarë, të cilëve u kryejmë shërbime dhe ky është njëri nga problemet që ekziston. Mund të jetë një person që ka përvojë shumë të mirë në montazh, por kur vjen puna te komunikimi, është problem”, thotë Uka.

Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pranojnë se ka qytetarë të papunë e që nuk dëshirojnë të punojnë në sektorin privat, konkretisht në sektorin e bujqësisë.

Avni Ajdini, kryetar në këtë sindikatë, thekson se në këtë sektor në disa raste pronarët nuk e respektojnë orarin e punës prej 40 orësh në javë.

“Kështu që paga që ata paraqesin në muaj është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me orët e punës që realizojnë. Ky sektor vazhdimisht është përballur me probleme të ndryshe, pasi numri i vogël i inspektorëve në nivel vendi, në një mënyrë ka lejuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga pronarët”, tha Ajdini.

Që prej përfundimit të luftës, Kosova është përballur me shkallë të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë. Ndërkaq, të punësuar janë rreth 370 mijë persona. Pagat neto të shumicës së të punësuarve sillen nga 400 deri në 500 euro në muaj.

Qeveria i bën ftesë një pjese të qytetarëve: Aplikoni për punësim në ndërmarrje publike

Qeveria e Kosovës i ka ftuar qytetarët e interesuar nga komunitet pakicë që të aplikojnë në konkurset e hapura për disa pozita publike, shkruan Express.

Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate ka treguar edhe dokumentacionin që nevojitet për të aplikuar.

Afatet e konkurseve janë të hapura deri në qershor.

Komunikata e plotë e Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës, Zyra e Kryeministrit, inkurajon të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe të interesuarit tjerë që të aplikojnë në konkurset e hapura për Ndërmarrjet Publike.

Në mbështetje të nenit 9 të Ligjit Nr. 05/L-120 për Trepçën, të nenit 15.6 të Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe nenit 8 paragrafi 1 i Ligjit Nr. 04/L-111 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, si dhe duke u bazuar në nenin 5 të Rregullave mbi Identifikimin e Kandidatëve për Drejtor të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe Metodologjinë e Vlerësimit, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit ka shpallur konkurs për Anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A. 

Inkurajohen të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe të interesuarit tjerë që do të përfaqësojnë interesat e Komunës ku Trepça Sh.A. vepron, që të aplikojnë në konkursin për anëtar të Bordit Mbikëqyrës të Trepça Sh.A.

Dokumentacioni i kërkuar sipas konkursit, duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Kryeministrit, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. 34.

Afati i konkursit është i hapur deri më datën 20 qershor 2021.

Poashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës inkurajon të gjithë të interesuarit nga komunitetet jo-shumicë, gratë dhe personat me nevoja të veçanta, të aplikojnë në konkursin e hapur për Drejtorë të Bordeve të Ndërmarrjeve Publike Qendrore për:

1.           Posta e Kosovës, Sh. A. (PK)  dhe 

2.           Kompania Rajonale e Ujësjellësit – Hidromorava-Sh. A.- Gjilan.

Dokumentacioni duhet të jetë në pliko (zarf) të mbyllur ku shkruhet emri dhe mbiemri si dhe emri i Ndërmarrjes Publike në të cilën konkurron kandidati dhe të dorëzohen në Sekretariatin Koordinues të Qeverisë, Ndërtesa e Qeverisë, kati i I-rë, zyra nr. P34.

Afati i konkursit është i hapur deri më 10 qershor 2021.

Vegëza me të gjitha informatat për konkurset e hapura: https://kryeministri-ks.net/dokumente/

Për informata shtesë të interesuarit/at mund të njoftohen përmes telefonit 038/200 14 400. 

Kosova kërkon nga Serbia kthimin e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik

Institucionet e kulturës bashkë me institucionet e larta shtetërore në Kosovë u kanë shkruar letër-kërkesë institucioneve serbe për kthimin e artefakteve kosovare “që vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në Serbi”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kërkesa është bërë nga Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci i cili i është drejtuar me një letër Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik në Beograd dhe Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve me kërkesën për kthimin e këtyre artefakteve.

“Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës dua t’ju kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës. Ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet tona vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë tuaja përkatëse”, ka shkruar Leci.

Kërkesës së Muzeut Kombëtar të Kosovës përmes një letre përcjellëse, i dhanë mbështetje të plotë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporit, Hajrulla Çeku dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ku thanë se institucionet e Kosovës do të ofrojnë gjithë mbështetjen e nevojshme Muzeut Kombëtar të Kosovës në përmbushjen e këtij qëllimi.

Gjithashtu, në letrën mbështetëse të dy ministrave, u mirëprit ideja e propozuar për të themeluar një grup të përbashkët pune mes muzeve të Kosovës dhe Serbisë, me prezencë profesionale ndërkombëtare për të hartuar një plan dhe mbikëqyrur procesin e kthimit të artefakteve në Kosovë.

“Kërkojmë përgjegjësi institucionale nga muzetë përkatëse në Beograd si dhe përgjegjësi politike nga qeveria në Beograd për të përmbushur një obligim ndërkombëtar. Njëherësh zotohemi se nuk do të ndalemi së vepruari deri në momentin e kthimit të të gjitha pjesëve të koleksionit përkatës në vendin tone”, shkruan në letrën e dy ministrave kosovarë.

Më vonë, ministri Çeku nëpërmjet një shkrimi në rrjetet sociale tha se mbajtja e artefakteve nga ana e Serbisë, përbën qartë shkelje të marrëveshjes së UNESCO-s si dhe Planit të Ahtisarit.

“Më vjen keq që për më shumë se 20 vjet, në mënyrë të paligjshme ende 1.247 artefakte të Republikës së Kosovës mbahen në muzetë e Beogradit”, shkroi Çeku.

Ministria e Kulturës dhe Informacionit e Serbisë në një reagim ndaj letrave të dërguara nga pala kosovare, e cilësoi veprimin si “abuzim të kulturës” në mënyrë që të promovohet pavarësia e shpallur njëanshëm nga Kosova duke “sajuar legjitimitetin e rremë të institucioneve të pretenduara”.

Ajo tha se në letrat e dërguara nga Kosova janë vënë re falsifikime dhe shtrembërime ndërsa “kërkesat e institucioneve të përkohshme në Prishtinë janë ekskluzivisht në funksionin e largimit të vëmendjes nga rrezikimi i trashëgimisë kulturore dhe krijimi i iluzionit të kujdesit për trashëgiminë kulturore”.

Kurti synon të ndryshojë marrëveshjen për mënyrën e veprimit të FSK-së në veriun e vendit

Leonat Shehu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se synon të ndryshojë një marrëveshje të vitit 2013 midis ish kryeministrit Hashim Thaçi dhe ish sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, që ka të bëjë me mënyrën e veprimit të Forcës së Sigurisë në veriun e vendit.

Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin e Kosovës i pyetur nga deputetët nëse kjo çështje ishte shtruar për diskutim gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s ku më 20 prill ishte takuar me Sekretarin aktual të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.

Kryeministrin Kurti në mandatin e parë si kryeministër në muajin shkurt të vitit të kaluar shpalosi një letërkëmbim të muajit prill të vitit 2013 ndërmjet ish sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen dhe ish kryeministrit Thaçi, në të cilin zoti Thaçi zotohej se Forca e Sigurisë së Kosovës do të nuk do të hyjë në veriun e banuar me shumicë serbe “pa një pajtim paraprak” të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Po ashtu sipas letërkëmbimit, për të siguruar pajtimin, forcat paqeruajtëse mund të këshillohen me komunitetin në veri.

Kryeministri Albin Kurti tha se kjo është e dëmshme dhe duhet të ndryshohet.

“Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që ka vënë firmën në një shkresë të tillë. Një problematikë që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet përmes një takimi të vetëm që ishte edhe takimi im i parë në selinë qendrore të NATO-s. Atëherë e kam referuar çështjen në prokurori dhe tash çështja i mbetet prokurorisë për trajtim”, tha ai.

Zoti Kurti të enjten u përball edhe me akuza nga opozita për deklaratën e tij në Bruksel se një nga vlerat të cilave duhet t’u përmbahet Ballkani Perëndimor për të përparuar më shpejtë drejt integrimeve është ballafaqimi me të kaluarën, që nënkupton largimin nga skena politike e institucionale të kriminelëve të luftës. Edhe më tej në rajon tha ai ka kriminelë të luftës edhe kriminelë të paqes që dominojnë në institucionet dhe partitë politike.

“Kam dy pyetje për kryeministrin. E para është a je i rekrutum prej shërbimeve serbe prej kohës sa je mbajtur në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mban peng sot e kësaj dite, pra a është më në rrezik Kosova prej teje si i rekrutu nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng i shërbimeve serbe”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Është e rëndësishme që kryeministri të deklarohet dhe të sqarohet për deklarata të tilla se kush janë kriminelët e luftës që sot gjinden në institucionet e Republikës së Kosovës. A janë kriminel të luftës që dje ishin veteranë dhe dje luftuan për çlirimin dhe pavarësimin e këtij vendi”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Abelard Tahiri.

Aktualisht disa nga drejtuesit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës ndodhen në Hagë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara të Koosovës që trajtojnë pretendimet për krime të luftës dhe pasluftës.

Gërvalla: Tërheqjet e ambasadorëve, një hap drejt reformimit të shërbimit diplomatik

RFE/RL

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë Donika Gërvalla, ka thënë të enjten se lirimet e fundit nga detyra të ambasadorëve të emëruar mbi baza politike, përbëjnë vetëm një hap në reformën e thellë që do t’i bëhet shërbimit diplomatik të Kosovës.

“Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikë është bërë në frymën e programit të miratuar qeveritar, i cili parasheh reformimin e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës dhe respektimin e Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ligjit për shërbimin e jashtëm të Kosovës”, ka thënë ajo përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social Facebook.

Sipas Gërvallës, ky vendim krijon hapësirën e domosdoshme për përmbushjen e obligimit ligjor që së paku 50 për qind e emërimeve të ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të jenë nga anëtarë të shërbimit të jashtëm të Kosovës.

“Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendimet tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë mes tjerash ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu ka miratuar më 19 maj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të këyre ambasadorëve.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, nga Zyra për informim e Presidencës së Kosovës.

Largimin nga pozita e ambasadorit, e ka konfirmuar edhe Hajdin Abazi, ambasadori i Kosovës në Australi, përmes një postimi në Facebook të enjten.

“Në ditën që bëra fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga Presidentja e Kosovës më erdhi Dekreti për lirimin nga detyra”, ka shkruar ai, duke shtuar se kërkesa e Qeverisë për lirimin e tij në gjysmë të mandatit “nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci”, ka shkruar Abazi.

Mediat në Kosovë kanë raportuar se bëhet fjalë për largimin e 12 ambasadorëve.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, propozimin e Qeverisë së Kosovës për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës të emëruar politikë, e ka konsideruar si suspendim të politikës së jashtme të Kosovës.

Sipas tij, ky vendim përbën skandalin më të madh në politikën e jashtme.

Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, së paku pesëdhjetë për qind të emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve, duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës.

Pjesa tjetër e të emëruarve mund të jenë të emëruar politikë.

Procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj marrin kohë. Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku pason dekretimi nga ana e presidentit të Republikës. Por, procedura nuk përfundon me kaq.

Shteti pranues duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri, procedurë kjo që mund të marrë disa muaj kohë.

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga 5 vendet e BE-së e kthen perspektivën e saj në integrim evropian

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Polikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell ka marrë pjesë mbrëmë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, para darkës së përbashkët kryeministri Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë, Borrell, gjatë të cilit takim ai konfirmoi interesimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian.

Në një adresim të shkurtër para fillimit të darkës, kryeministri Kurti tha se Bashkimi Evropian është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se ai duhet të mbrohet me çdo kusht.

Ai shtoi se me miqtë dhe kolegët e palës kosovare në Bruksel, “duhet të diskutojmë për zbatimin e reformave në vendin tonë dhe në anën tjetër për nevojën për njohjen e Republikës së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse, ashtu që perspektiva evropiane të kthehet në integrim evropian”.

Pas darkës, Kurti në deklarimin e tij para medieve tha se theksi i diskutimit ishte te raporti i Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe nevojën e afateve për avancimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian. Ndërsa theksi i tij ishte te nevoja për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës dhe investimeve në ekonomi, të cilat e zvogëlojnë emigrimin dhe e rrisin punësimin posaçërisht të të rinjve.

Darka tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor bëhet nën organizimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së dhe shërben si mundësi e mirë për diskutim të përbashkët mbi zhvillimet në rajon, bashkëpunimin bileteral me BE-në dhe rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian.

Presidentja e Kosovës takon presidentin e Maqedonisë së Veriut

Prishtinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ciklin e takimeve me disa nga presidentët e rajonit në kuadër të Samitit Brdo-Brijuni në Slloveni, e ka përmbyllur me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e Presidentit të Kosovës (ZPRK), në këtë takim është bërë e ditur se në kuadër të bashkëpunimit ndërshtetëror së shpejti do të mbahet një takim i përbashkët i qeverive të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve fqinje janë vlerësuar të mira, ndërkohë që të dy presidentët janë angazhuar për thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në sferën e shkëmbimit tregtar e ekonomik, arsimit, kulturës e turizmit”, njofton ZPRK.

Më tej, thuhet se presidenti Pendarovski e ka njoftuar homologen Osmani se shteti i tij do ta rrisë prezencën në kuadër të trupave të KFOR-it, teksa i ka dhënë mbështetje liberalizimit të vizave, rrugës evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimit në NATO.

Presidentja Osmani dhe presidenti Pendarovski kanë kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve në rajon, duke theksuar se rajonit i nevojitet stabilitet.

Në vazhdën e takimeve në kuadër të Samitit të presidentëve të shteteve të rajonit Brdo-Brijuni, presidentja Osmani para takimit me presidentin Pendarovski është takuar edhe me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, me të cilin është diskutuar bashkëpunimi bilateral dhe rajonal, liberalizimin e vizave, rrugën evropiane të Kosovës si dhe anëtarësimin në NATO.

Samiti i Brdo-Brijunit organizohet që nga viti 2013, me iniciativën e Sllovenisë dhe Kroacisë. Ky samit ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, duke përçuar mesazhin politik lidhur me aspiratën e përbashkët e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian (BE).


Send this to a friend