Parlamenti i Kosovës shkarkoi të enjten anëtarët e bordit drejtues të Radio Televizionit të Kosovës me propozim të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Kryetarja e këtij komisioni, Doarsa Kica-Xhelili, tha mes tjerash se viteve të fundit ka pasur tendencë për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të punonjësve në transmetuesin publik, i cili financohet nga parlamenti i Kosovës.
Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje në pushtet thanë se është koha që RTK-ja “t’i shërbejë publikut e jo vetvetes”.
Kundër shkarkimit ishin partitë opozitare.
Anëtarët e derisotëm të bordit drejtues e cilësuan vendimin për shkarkim si “politik, kundërligjor dhe ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”.
Në një reagim të përbashkët ata paralajmëruan veprime ligjore për ta kundërshtuar atë, që e cilësuan “vendim arbitrar”.
Bordi drejtues i televizionit publik sipas ligjit ka 11 anëtarë, që zgjidhen nga parlamenti i cili si themelues i tij “mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së, të përcaktuar me këtë ligj”.
Gjatë deputetë të Kuvendit të Serbisë kanë vizituar sot kreun e Qeverisë së Kosovës në zyrën e tij në Prishtinë. Sipas një komunikatë të lëshuar nga zyra e Kurtit, thuhet se ata njohin pavarësinë e Kosovës dhe se përkrahin kreun e ekzekutivit, shkruan Gazeta Express.
“Gjashtë deputetë të Kuvendit Popullor të Serbisë e njohin pavarësinë e Kosovës dhe e përkrahin Qeverinë Kurti. Z. Sylejman Ugljanin, kryetar i Partisë Aksioni Demokratik i Sanxhakut, z.Shaip Kamberi, shef i Grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak”, deputetët z.Enis Imamoviq, znj.Nadije Beqiri, z.Mirsad Hodzhiq, z.Argjend Bajrami, z.Selma Kuçeviq, ia shprehën gjithë përkrahjen e tyre Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin që patën sot në zyrën e tij në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Kryetari i SDA, z. Sulejman Ugljanin e falënderoi kryeministrin Kurti për miratimin në Kuvendin e Kosovës të rezolutës që dënon gjenocidin në Srebrenicë. Ai tha se boshnjakët janë shumë mirënjohës që Kuvendi i Kosovës u rreshtua në anën e së drejtës dhe dënoi krimin më të madh në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, kur 8000 burra e djem boshnjakë u vranë e u masakruan në një ditë nga forcat serbe të sigurisë”, shton tutje njofitmi.
Ugljanin ka thënë se “deputetët e koalicionit “Lugina e Bashkuar – SDA Sanxhak” e njohin pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Ai tha se e përkrahin kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës në angazhimin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi. Duke mbrojtur të drejtat e shqiptarëve ju po mbroni edhe të drejtat e boshnjakëve, tha z. Ugljanin. Ai e vlerësoi qasjen e kryeministrit Kurti për vendosjen e reciprocitetit të të drejtave të pakicave kombëtare në Kosovë dhe në Serbi. Ky është ilaçi i zgjidhjes së problemeve të pakicave në Ballkan”.
“Deputetët e njoftuan kryeministrin Kurti për funksionimin e organeve ekzekutive të Këshillave nacionalë, ata thanë se Këshilli Nacional Boshnjak në Serbi i ka 35 anëtarë dhe 7 delegatë në bordin ekzekutiv. Ndërsa Asamblea e Këshillit Nacional Shqiptar i ka 15 anëtarë”, shton komunikata.
Kryeministri Kurti ka thënë se aktualisht gjysma e Sanxhakut ndodhet në NATO e gjysma jo, duke u bazuar në faktin që një pjesë e Sanxhakut ndodhet në Serbi e tjetra në Mal të Zi.
Kreu i Qeverisë ritheksoi se Serbia duhet të distancohet nga e kaluara e përgjakshme dhe politika e Sllobodan Milosheviqit.
“Pa u distancuar dhe pa e bërë Serbia një introspeksion për të kaluarën e saj, nuk mund të ecet drejt të ardhmes dhe normalizimit të raporteve me Kosovën, tha kryeministri Kurti.
Ish-ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha.
Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të mërkurën se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave me inicialet Dh.H., F.M., D.Sh., K.C., N.O, për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Radio Evropa e Lirë merr vesh se bëhet fjalë për ish-ministren e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër të pandehur të tjerë: Fitim Mustafa, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani.
Hoxha, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë ministre në Qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Disa nga emrat e të pandehurve përmenden në një hulumtim të rrjetit BIRN në Kosovë, ku thuhet se “në vitin 2019, Ministria e Integrimeve Evropiane e Kosovës i ka paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se ‘modifikimi i territorit’ mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi”.
Kjo ide, në të kaluarën, është promovuar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të ndodhë gjatë fazës së demarkacionit të kufirit me Serbinë.
Sipas Thaçit, korrigjimi do të përfshinte tri komunat me popullatë shqiptare në jug të Serbisë – Preshevën, Medvegjën e Bujanocin – në kuadër të Kosovës.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati gjatë një mbledhje të Qeverisë së Kosovës.
Ministri i Financave dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës , Hekuran Murati ka bërë të ditur se mes Bankës Qendrore të Kosovës dhe gjashtë bankave komerciale është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për emetimin e bonove të dedikuara për diasporën.
Vlera e këtyre bonove do të jetë 20 milionë euro.
Letrat me vlerë ose bono të thesarit lëshohen nga Ministria e Financave dhe Transfereve sa herë që qeveria ka nevojë për më shumë para. Këto letra janë borxh i qeverisë. Letrat me vlerë në Kosovë kryesisht blihen nga bankat komerciale.
Murati tha se maturitetit i bonove do të jetë trevjeçare dhe pesëvjeçare.
“Periudha e shitjes do të jetë e hapur nga 21 korrik deri më datën 18 gusht, kurse shitja përfundimtare do të bëhet më 20 gusht. Shuma totale që është paraparë është 20 milionë euro, por sipas rregullores, mund të rritet 50 për qind nëse ka kërkesë shtesë”, tha Murati.
Murati shtoi se bonot e thesarit dedikuar diasporës janë si letrat me vlerë, që do të thotë se investimi është i garantuar nga Kosova, kurse fitimi që gjenerohet është i liruar nga tatimi.
Emetimi i bonove të dedikuara diasporës, shtoi Murati, është parë edhe si instrument i cili e mobilizon kapitalin e diasporës që të investohet në projekte zhvillimore dhe jo vetëm të funksionojë si konsum.
Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do të bëhen shpalosje dhe shpjegime të detajuara për këto bono dedikuar diasporës.
Përgjatë viteve, mjetet e dërguara në Kosovë nga qytetarët e saj që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botë, në vit kanë qenë në mbi gjysmë miliard euro.
Për 13 vjet, Kosova ka pranuar afër nëntë miliardë euro remitenca.
Këto mjete paraqesin kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore në Kosovë. rel
Zoran Vukotiq u dënua sot me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
Një grua rreth të pesëdhjetave, viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, pas më shumë se dy dekadash u përball edhe një herë me njeriun që i shkaktoi vuajtje për tërë jetën.
Ajo çfarë i ndodhi iu bë barrë e përditshme, e rrëzoi, por nuk e la të dorëzohet. E lënduar, por ndjenjat nuk lejoi t’i dalin në pah dhe para agresorit e trupit gjykues arriti të thotë të vërtetën e tmerrshme që i ndodhi para 22 vitesh.
“Në momentin që ka hyrë në gjykatë, menjëherë e kam njohur, menjëherë. Nuk jam ndjerë kush e di sa mirë, por jam bërë shumë e fortë, më ka jep Zoti aq shumë forcë sa i kam dalë përballë me shumë krenari. Sa i përket kësaj, unë e di që nuk kam bërë marre diçka, por ajo ka qenë një krim që iu ka ndodhur shumë nënave dhe motrave tona, të cilat sot e asaj dite as nuk guxojnë me përmend. Shumë prej tyre edhe nuk janë, nuk ekzistojnë. Nuk e kanë pasur krejt fatin tim, që me përkrah bashkëshorti, apo dikush”, rrëfen ajo për KP.
B.K mezi merr frymë kur kujton ngjarjen. E kaluara e asaj ia vrau të përditshmen. Ajo rrëfen se si më shumë e deshi veten të vdekur se sa të gjallë.
“Kam filluar të qaj, por prapë se prapë e kam mbajtur veten, ajo krenaria që nuk kam dashur ai me më pa me lot, edhe të dijë ai që unë aq shumë po vuaj. Sa që ai ka provuar kinse po ndihem keq. Po unë asnjëherë nuk jam kthyer ta shikoj fytyrën e tij, të kriminelit, i cili më kujtohej sikur atë ditë, sikur para 21 viteve. Unë gjatë luftës kam qenë shtatzënë tremuajshe, në kohën kur më ka ndodhur akti. Pas përfundimit në shtator, i kam humbur dy djem. Edhe e di se më ka ardhur ajo fuqi aty edhe i kam thënë ‘unë i kam humb dy djem shkaku yt, por falë Zotit e kam një luan 20 vjeçar, mos mendo që ma ke tha shpirtin’”, vijon rrëfimin ajo.
Makthi i përjetuar i shfaqet në ëndrra, i kujtohet në mëngjes, në mbrëmje, në rrugë e në shtëpi. Ato nuk mund t’i heq nga koka. Më mirë nuk është as pas janarit, kur ajo u ballafaqua me personin i cili, siç thotë ajo, ia shkatërroi jetën. Gruaja afër të pesëdhjetave, lutet që të mos takohet asnjëherë më me Zoran Vukotiq, shtetasin serb, i cili akuzohet edhe për krime të tjera kundër njerëzimit.
“Më ka rikthyer qysh në kohën kur ka ndodhur rasti (e përmend datën) mu duk sikur atë ditë ndodhi. Për mua ka qenë shumë e rëndë, pastaj, por në atë moment jam bërë shumë e fortë, shumë jam bërë e fortë”, shprehet ajo.
Dita e 21 janarit të këtij viti, kur kjo e mbijetuar u përballë me dhunuesin në seancë gjyqësore, u konsiderua historike për organizatat që po merren me trajtimin e tyre tash e dy dekada.
“Më kujtohet momenti kur ka hyrë personi, i pandehuri për krimin e bërë, e mbijetuara ka filluar të bëjë lëvizje të pakoordinuara, kërcente sikur lepur. Unë mundohesha t’ia mbaja dorën, mundohesha që t’i qëndroja pranë, edhe ajo ka qenë qëllimi që të përkrah, por as unë nuk mbeta pa emocione. Ishte e pamundur, ajo rryma që u krijua mes të qenit mes të mbijetuarës edhe mes të dhunuarës, është emocion i pa përshkruar. Edhe të kthen tamam në ngjarjen e vitit ’99. Megjithatë edhe pse ishte emocionuese dhe mbi të gjitha unë dua ta ndaj me opinionin e gjerë që kemi të bëjmë me një grua që ka forcë të papërshkrueshme. Me arrit krejt atë lloj krimi që është ushtruar në trupin e saj, me arrit ta dokumentoj nuk është fare e lehtë. Ka qenë moment emocional, i ka bërë me lot komplet trupin e gjykatës edhe ne që kemi qenë prezent”, shton ajo.
Muajt e pranverës e kthejnë mbrapa në kohë dhe i kujtojnë ngjarjen që i solli dhembje të forta. Ajo kujton edhe ditën e ngjarjes për të cilën tha se nuk pati nevojë t’i tregojë asgjë familjes pasi dukej nga pamja e jashtme e saj që diçka e tmerrshme kishte ndodhur.
“Saktësisht prej datës (censuruar), kemi qëndruar pranë varrezave me datën (censuruar) atë ditë herët në mëngjes forcat serbe na dëbuan prej shtëpive. Na nxorën në fushën e varrezave në (censuruar). Atë ditë aty i kanë ndarë meshkujt, djemtë e rinj, vetëm gra, fëmijë e pleq i kanë lënë. Aty na kanë drejtuar në një lokal me i marrë disa kartonë. Na kanë bërë rresht aty, duke prit të hyjmë aty. Me të hyrë brenda, aty ka ndodhur më e keqja. Me datën (censuruar) jam takuar me bashkëshortin, ka qenë vetëm pas përfundimit të luftës. Unë prapë të njëjtën shtëpi, sepse aty e kisha familjen të vendosur. Nuk ka pasur nevojë të tregoj, se ka treguar vet pamja ime, e tmerrshme”, vijon rrëfimin ajo.
Ani pse shumë prej tyre nuk e thonë me zë, drejtësia po konsiderohet e shenjtë për të gjithë të mbijetuarit. Madje, publikisht para dy vitesh, Shyrete Tahiri-Sylejmani dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të kërkuar drejtësi për atë çfarë i kishte ndodhur.
“Drejtësia për mua ka një vlerë shumë të madhe. E dimë që me drejtësi të mbijetuarit e luftës, gratë, vajzat, burrat, djemtë do ta ndjejnë vetën shumë më lehtë. Do ta gjejmë një qetësi shpirtërore, shoqërore, ku shpresoj se do të vazhdojmë të jetojmë një jetë normale. Drejtësinë na kanë obligim institucionet të gjithë neve, e ne ua kemi obligim familjeve tona, fëmijëve tanë që edhe ata ta ndjejnë vetën të qetë që është gjetur drejtësi për nënat, baballarët, motrat dhe vëllezërit e tyre”, shprehet ajo.
Pavarësisht dënimit, e mbijetuara e cila rrëfehet për KosovaPress, thotë se vuajtjet e shumë grave dhe burrave nga Kosova do të mbesin të pashlyera.
Ditën kur ajo u dhunua, po barte me vete dy jetë. Pas përfundimit te luftës, si shkak i gjendjes së rëndë, abortoi në muajin e shtatë.
“Atë natë më kanë dërguar te mjeku familjar, por i vetmi mjek që ka ekzistuar në (censuruar), ka qenë që ka punuar në shtëpi të vet, si ordinancë. Atje më kanë dërguar vjehrra edhe motra. Kam qenë e lënduar në trup, me gjakderdhje të madhe, gjithçka ma e keqja që mundet të ndodhë. Kam përdorur terapi dhe pas përfundimit të luftës deri në muajin e shtatë (të shtatzënisë) i kam humbur (foshnjat)”, tregon ajo për KosovaPress.
Drejtësia duket larg në tunelin e errët. Përkundër deponimit të plot dosjeve për krim ende askush nga serbët nuk është dënuar.
“Drejtësia për mua do të thotë gjithçka, që 21 vjet kërkoj drejtësi, më në fund besoj se erdh ajo ditë. Po shpresoj se ka ardhur ajo ditë sepse kam vuajtur shumë. Shumë kam vuajtur. Shumë. Por ia kam dalë me përkrahjen e bashkëshortit tim, ia kam dalë gjithçka. Sepse, edhe ai të mos ishte përkrahja ime, unë sot nuk do të isha. Sepse unë disa herë kam dashur që të bëjë vetëvrasje. Por falë Zotit dhe tij, sot jam edhe më e fortë”, thotë ajo më tej.
Përkrahjen e burrit e pati, por jo edhe të shtetit.
“Përkrahja e shtetit më ka munguar shumë, se unë menjëherë pas luftës kam dëshmuar, menjëherë pas luftës, në UNMIK. Ajo dëshmi nuk ekziston, në vitin 2010 kam dëshmuar në EULEX edhe ajo dëshmi nuk gjendet askund. Tash kam dëshmuar në gjykatën tonë, do Zoti edhe drejtësia po shkon në vend”, shpreson ajo.
Ajo është ballafaquar me gjithçka, me shumë dhimbje, mërzi dhe vuajtje. Ajo në vitin 2018 ishte intervistuar në Policinë për Krime Lufte, dëshmi ka dhënë edhe në Prokurorinë Speciale.
“Drejtësia nënkupton shërim, trajtim, jo vetëm për personin në fjalë që e ka përjetuar luftën, por edhe për familjarët e saj, për fëmijët që ua kemi borxh, por edhe shoqërinë. Ky proces ka filluar shumë herët, por fatin e ka pasur që me 21 janar të këtij viti e mbijetuara e dhunës seksuale që ka qenë pjesë trajtimit të organizatës, një person që ka përfituar tretman të vazhdueshëm në organizatë, ka arritur që suksesshëm të dëshmojë për të gjitha krimet e bërë edhe atë me data dhe me fakte se si është ushtruar ai krim në rrethana lufte dhe se si ky krim ka qenë pjesë e një arsenali të dhunës që personi në fjalë e ka ushtruar në raport me trupin e saj”, tregon ajo.
Gjatë gjithë procesit, e mbijetuara ka qenë e përkrahur nga një ekip profesional që e ka ndihmuar që ajo të jetë në gjendje të dëshmojë para trupit gjykues për krimin që ka përjetuar.
“Klienti tek ne është paraqitur qysh në vitin 2017, dhe fillimisht ne jemi fokusuar në rehabilitimin e traumës së saj. Duke i ofruar qoftë trajtim individual, por edhe grupor në mënyrë që të fuqizojmë edhe pjesën sociale të saj. Ndërsa, prej momentit kur ka filluar ngritja e aktakuzës, dhënia e deklaratës së të mbijetuarës para prokurorëve, deri tek paraqitja e të mbijetuarës dhe ballafaqimi me dhunuesin, ne kemi mbajtur seancë intensive në mënyrë që të fuqizojmë emocionalisht që ajo të ballafaqohet në mënyrën më të mirë të mundshme me dhunuesin”, tregon ajo.
Për gjendjen e saj fizike dhe psikike u dëshmua edhe në gjykatë.
“Ajo ka pasur shumë probleme somatike në boshtin kurrizor, tensionin e lartë, gjumin e çrregullt, ajo me ditë të tëra nuk flenë, plus kur ka filluar gjykimi. Ka qenë rast shumë i vështirë, kur e mbijetuara pas takimit gjyqësor me dhunuesin në gjykatë, është përkeqësuar shumë më tepër. Ajo është detyruar edhe të bëjë rezonancë magnetike, ajo ka pasur problem me boshtin kurrizor, tërë kohën ka qarë. Nuk e ka prit javën edhe ka ardhur këtu, gati çdo të dytën ditë. Ajo shumë herë ka humbur edhe vetëdijen në shtëpi”, tregon ajo për gjendjen e të mbijetuarës.
QKRMT, e cila ka dhënë mbështetje në këtë proces, shpreson që ky rast do të bëjë historinë e Republikës së Kosovës, që të jetë simbol për fuqizimin e mijëra grave dhe burrave, të cilat dhanë dëshmi, por të njëjtat mbetën në arkiva.
“Kemi të bëjmë me një person që nivelin dhe dimensionin e dhunës e ka ushtruar, e ka paguar, me trupin e vet. Këtu mund të flas më së miri viktima dhe me arrit prej një personi që kaq rëndë e ka përjetuar, që ta bëjë rast që do të vjen dhe do të ballafaqohet me gjykatën dhe ta ketë në anën e djathtë edhe dhunuesin dhe të flasë të vërtetën, mendoj që është një histori në vetvete. Fakti që është rasti i parë që po e përkrahim edhe jemi munduar që t’ia ofrojmë mundësitë maksimale të mundshme është që ajo të ndihet mirë dhe stabile. Është rasti i parë që ne shpresojmë që gjykata të marrë vendimin e drejtë dhe shpresojmë që rasti si i tillë të ngadhënjejë me drejtësinë e cila është e mohuar”, thekson ajo.
Gruaja e cila mezi rri ulur teksa flet për jetën e saj, u bën thirrje të gjitha grave që të këmbëngulin për drejtësi. Për këtë të fundit thotë se është në gjendje të dëshmojë kudo.
“Pas 20 vitesh kam shkuar me një hetuese (te vendi i dhunimit) kemi shkuar për herë të parë, u pata ndjerë shumë keq edhe ajo u ndje keq. Se unë 20 vjet asnjëherë nuk kam shkuar në atë vend, u desh aty të shkoj të dëshmoj vendin ku ka ndodhë. E di që ajo ditë ka qenë shumë e rëndë për mua, shumë. Nëse arrihet drejtësia dhe ai e merr dënimin atëherë besoj që edhe do të jem e qetë, së paku këto vjet sa më kanë mbet të jetoj e qetë, e di se dikush u dënua për këtë krim që e ka bërë”, thotë ajo.
B.K tash e dy vjet edhe ligjërisht ka statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Shpirti i saj dhe mijëra grave dhe burrave nuk do të qetësohet derisa të gjykohen këto krime. Edhe pse, të njëjtat ende po përballen me stigmën, paragjykimet e fyerjet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë sot një letër nga kryeministri i ri i Izraelit, Naftali Bennett, si përgjigje për letrën që Kurti ia kishte dërguar atij para disa javësh.
Në këtë letër, Bennett e falenderon Kurtin në emër të Qeverisë së tij për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, raporton Gazeta Express.
“Në emër të Qeverisë së Izraelit, ju falenderoj juve sërish për hapjen e ambasadës këtu në Jerusalem, kryeqytetin e Shtetit të Izraelit”, ka shkruar kryeministri izraelit.
Duke e falënderuar për letrën, Bennett u shpreh mirënjohës që Kurti ndau pikëpamjet e tij lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
“Izraeli me kënaqësi do t’ju ndihmojë në ruajtjen e monumenteve me vlerë universale kulturore, si dhe do t’ju ndihmojë në përkushtimin e vëmendjes për to, si dhe për shndërrimin e tyre në një destinacion turistik. Ne kemi një përvojë të madhe me objektet tona kulturore në Izrael, e sidomos në Jerusalem, dhe atë që ne e dimë në këtë aspekt, me kënaqësi do ta ndajmë me ju”, thuhet ndër tjerash në letër.
Kurti u kishte dërguar letët kryeministrit izraelit dhe kryeministrave e presidentëve të 56 vendeve të botës, ku shprehte pikëpamjet e tij mbi trashëgiminë kulturore dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj.
Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen në postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës.
Kurti i ka ofruar bashkëpunim Krasniqit për temat “me interes nacional dhe ballafaqim të ideve e qëndrimeve për të mirën e përbashkët të shtetit dhe qytetarëve”.
Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së, gjatë Konventës të mbajtur të shtunën, më 3 korrik. Ai nuk kishte asnjë kundërkandidat.
Gjatë kësaj Konvente, ai tha se synon që ta kthejë partinë e tij në udhëheqjen e vendit.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës është partia më e madhe opozitare. Zgjedhja e kreut të ri të kësaj partia erdhi pasi nëntorin e vitit të kaluar, Kadri Veseli dha dorëheqje nga udhëheqja e partisë, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Për tetë muaj, kjo parti u udhëhoq nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Enver Hoxhaj.
Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Krasniqi u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë.
Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.
Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës së kryetarit, Krasniqi tha se do të çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së.
Krasniqi tha se do të bashkëpunojë me secilin anëtar dhe qytetar që dëshiron të bashkohet PDK-së.
“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.
Gjatë Konventës, Krasniqi prezantoi platformën që synon ta zbatojë gjatë mandatit të tij si kryetar i PDK-së. Në prezantimin e platformës, Krasniqi ka thënë se synon që PDK-në ta kthejë në vendin e parë dhe që të qeverisë me vendin.
“Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë. Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë. Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se beteja kryesore e PDK-së është në Kuvendin e Kosovës duke ftuar deputetët e këtij subjekti politik që të angazhohen sa më shumë në punën e tyre në këtë institucion.
Ai ka thënë se do të formojë një kryesi të re me të rinj dhe të reja si dhe me njerëz që janë rritur në Partinë Demokratike të Kosovës. Mes tjerash, Krasniqi ka paralajmëruar formimin e një kabineti për Qeverisje të Mirë, me qëllim të formësimit të vizionit për një qeverisje të ardhshme.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja duhet që ta kthejë mbështetjen e rinisë.
Memli Krasniqi ishte kandidati i vetëm në këtë garë pasi asnjë anëtar tjetër i PDK-së nuk paraqiti kandidaturën për kryetar të këtij subjekti politik.
Në garë për kryetar të PDK-së pritej që të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për tetë muaj ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik.
Mirëpo pak kohë para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, Hoxhaj njoftoi se nuk do t’i hynte garës për kryetar.
Në hapje të Konventës, Hoxhaj, tha se shumëkush ka pritur se ai do të garonte për të parin e PDK-së, porse sipas tij, PDK-ja ka nevojë për një reformim dhe udhëheqësi të re.
“Nga kjo Konventë presim që ta forcojmë edhe më shumë identitetin tonë si parti shtetformuese, por edhe si parti e djathtë. Të dalim me qëndrime të qarta dhe të shpejta për ta mbrojtur demokracinë, lirinë, ekonominë e tregut dhe lirinë e shprehjes”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se kjo konventë e partisë po zhvillohej në rrethana jonormale pasi për herë të parë në të mungojnë ish-kryetari, Kadri Veseli dhe ish-presidenti, Hashim Thaçi.
Partia Demokratike e Kosovës mbeti pa kryetar më 5 nëntor të vitit 2020 kur Kadri Veseli dha dorëheqje nga drejtimi i partisë pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës ia konfirmuan aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga ajo kohë Veseli është në paraburgim në Hagë.
PDK-ja për gati 17 vjet u udhëhoq nga ish-kryetari, Hashim Thaçi i cili po ashtu është në paraburgim në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Kush është Memli Krasniqi?
Memli Krasniqi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe po ashtu ka kryer studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare pranë Shkollës Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).
Para se t’i hynte politikës Memli Krasniqi njihej kryesisht për karrierën e tij në muzikë në kuadër të grupit muzikor “Ritmi i Rrugës”.
Në vitin 2004 ai u bë pjesë aktive e Partisë Demokratike të Kosovës.
Që nga ajo kohë Memli Krasniqi udhëhoqi me Departamentin e Rinisë në PDK, ishte pjesë e strukturave udhëheqëse të partisë si anëtarë i kryesisë si dhe nënkryetar e po ashtu u zgjodh në disa mandate deputet i Kuvendit të Kosovës.
Në vitin 2011 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ndërsa në vitin 2014, Krasniqi mori sërish një pozitë të rëndësishme në ekzekutiv, atë të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Krasniqi u zgjodh sërish deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të shtunën, më 3 korrik, se ka pranuar 182.900 doza të vaksinës AstraZeneca, që janë donacion nga Norvegjia.
“Kontingjenti i vaksinave nga Norvegjia kanë mbërritur në Kosovë përmes transportit të organizuar nga institucionet e Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje nga Qeveria norvegjeze, populli norvegjez dhe institucionet e BE-së kanë një rëndësi të madhe për ne, për të cilën shprehim mirënjohjen tonë”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Sipas njoftimit, gjatë pranimit të vaksinave, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka falënderuar Novergjinë për këtë donacion dhe ka thënë se procesi i imunizimit është forma më e mirë për ta mposhtur sëmundjen COVID-19.
Ndërkaq, ambasadori norvegjez në Prishtinë, Jens Erik Grøndahl ka thënë se është obligim njerëzor “të jemi pranë njëri-tjetrit për të luftuar COVID-19 dhe të sigurohemi që të kemi bashkëpunim sa më të qëndrueshëm”.
Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrohen dhe të aplikojnë për regjistrim në platformën e-Kosova.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të marsit. Ndërkaq, që nga 15 qershori ka nisur vaksinimi masiv.
Përveç vaksinave që i ka marrë donacion nga Bashkimi Evropian, programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kroacia dhe Mali i Zi, Kosova po ashtu ka nisur që të pranojë kontingjente nga kontrata që ka me kompaninë Pfizer.
Kosova dhe kompania Pfizer kanë nënshkruar kontratë për sigurimin e 1.2 milion dozave.
Deri më 2 korrik, në Kosovë janë vaksinuar mbi 196 mijë qytetarë, ku prej tyre mbi 47 mijë janë vaksinuar plotësisht (me dy dozat e vaksinës).
Qeveria e Kosovës mëton që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të qytetarëve. rel
Gazeta e njohur zvicerane, Tages-Anzeiger, ka krahasuar çmimet e udhëtimeve nga Zvicra dhe Gjermania drejt Kosovës dhe Shqipërisë, nga ato drejt shteteve të tjera.
Tages-Anzeiger shkruan se çmimet e biletave për shqiptarët që jetojnë në këto dy shtete, janë shumë më të shtrenjta për t’u kthyer në Kosovë, krahas biletave drejt vendeve tjera.
“Gjeta një ofertë për fluturim me bileta kthyese nga Zyrihu në New York për 373 franga në fund të muajit korrik, ndërsa një bileta nga Zyrihu për në Prishtinë kushton rreth 720 franga”, ka thënë një shqiptar i Kosovës.
Një familjeje kosovare pesëanëtarëshe një udhëtim drejt Kosovës në sezonin e verës i kushton rreth 3600 franga, derisa gazeta shqiptarët i cilëson “minierë ari” për linjat ajrore. Megjithatë, këto çmime të larta nuk i prekin vetëm shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë. Shtetet e Ballkanit, kryesisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ngadalë po bëhen një zonë e veçantë për alpinistët, shkak kjo peizazhet e bukura.
Një kompani ajrore që rregullisht fluturon drejt Prishtinës nga Zyrihu, Edelweiss, thotë se çmimet s’janë të larta dhe se kontrollohen nga ofertat dhe kërkesat.
“Faktori vendimtar është koha e rezervimit të fluturimit dhe vendet që ende janë në dispozicion”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.
Lehtësimi i masave anti-COVID ka shkaktuar kohëve të fundit rritje të kërkesës për të udhëtuar drejt Kosovës, me ç’rast kjo ka ndikuar edhe në çmim. Kosova nuk është më në listën e rreziqeve të Zyrës Federale të Shëndetit Publik dhe se autoritetet zvicerane nuk kanë gjetur “asnjë variant shqetësues të virusit”.
“Për ata që janë vaksinuar plotësisht, janë rikuperuar ose testuar negativisht, nuk ka asnjë detyrim karantine kur të kthehen nga Kosova dhe të hyjnë përsëri në Zvicër”, raporton Tages-Anzeiger.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar, Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kanë emëruar sot Agon Bytyqin, zëvendësdrejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Zëvendësdrejtori i sapoemëruar i AKI-së, ka përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës më 2008, ndërkaq studimet master në fushën e drejtësisë i ka përfunduar më 2012. Një pjesë të studimeve, z.Bytyqi i ka përfunduar në SHBA”, thuhet në komunikatë.
“Ai, gjithashtu ka përfunduar provimin e Jurisprudencës më 2018. Ka përvojë 11-vjeçare në fushën e sigurisë, si dhe në atë të bashkëpunimit ndërkombëtar”, njoftohet tutje.
Emërimi i Bytyqit vjen pas shkarkimit të Vlora Hysenaj nga kjo pozitë./Express/
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë konferencës për media në aeroportin ushtarak të KFOR-it në Sllatinë, 1 korrik, 2021.
RFE/RL
Marrëveshja e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s – në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it – është ende e vlefshme dhe e duhur, tha të enjten në Kosovë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Para se t’u drejtohej mediave, Stoltenberg takoi në Prishtinë udhëhehqësit politikë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Ai tha se çështja e vendosjes së FSK-së në veri ka qenë temë e bisedimeve me Kurtin, i cili marrëveshjen për të e sheh si të dëmshme.
Kurti ka konfirmuar në muajin maj se e ka dërguar këtë marrëveshje – të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefi i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen – në prokurori.
Në letër-këmbimin e vitit 2013, Thaçi e ka siguruar Rasmussenin se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it” – mision ky paqeruajtës i NATO-s.
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate, që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, dhe të çdo gjëje, që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stoltenberg në konferencën për media, të mbajtur në aeroportin ushtarak të KFOR-it në Sllatinë.
“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Stoltenberg po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, që nënkupton kohën përpara vendimit të autoriteteve të Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Stoltenberg.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në vitin 2018 ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë të armatosur.
Është paraparë që procesi i transformimit të zgjasë dhjetë vjet.
Stoltenberg nuk pranoi të komentojë planin për ndërtimin e një poligoni të FSK-së në Mitrovicë të Jugut, duke thënë se “këto janë çështje të ndjeshme, që nxjerrin në pah rëndësinë e respektimit të faktit se ka pikëpamje të ndryshme”.
Andaj, theksoi ai, nuk duhet bërë asgjë që minon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të bërë përparim në dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke folur për rrugën e Kosovës në NATO, Stoltenberg tha se katër vendet aleate të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, “pasqyrojnë realitetin politik”.
“Anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë.
“…sepse, në një fazë, ju duhet të shihni normalizim. Kjo do të jetë e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por do të jetë gjithashtu e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kosovës me të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë NATO-n”, theksoi Stoltenberg.
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka vendosur që të mos kandidojë për kryetar të partisë. Qëndrimin e tij Hoxhaj e bëri të ditur përmes një konference për media, raporton Gazeta Express.
Ai tha se nuk po ik nga përgjegjësia, por se mendon që ky vendim i tij do t’i kontribuonte unitetit në parti.
“Unë nuk jam kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo nuk është ikje nga përgjegjësia, nuk është ikje nga detyra, nuk është ikje nga puna”, tha Hoxhaj.
Ai nuk tregoi nëse do të ketë kandidatë të tjerë në garë me Memli Krasniqin për pozitën e kryetarit të PDK-së.
“Gjenerata e re mund ta bëjë ndryshimin në Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa detyra jonë është që ta mbështesim lidershipin e ri”, tha Hoxhaj, ndërsa shtoi se do ta mbështes lidershipin që del nga Konventa e 3 korrikut.
Ai nuk deshi të komentojë kandidaturën e anëtarit të Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa tha se është koha që PDK-ja të ristrikuturohet.
Konventa e Përgjithshme e PDK-së mbahet të shtunën. Aty pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë dhe strukturat e reja të larta udhëheqëse.
Memli Krasniqi deri tani është kandidati i vetëm për kryetar.
Autoblinda me mortajë Vuran 4×4 e zhvilluar me bashkëpunimin e kompanive të industrisë turke të mbrojtjes do të eksportohet për herë të parë në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë, mësohet se Vuran 4×4 është prodhuar nga BMC një prej prodhuesve të Turqisë për mjetet tokësore të blinduara. Automjeti i blinduar i cili mund të përdoret me shumë qëllime, prej një kohe ndodhet në inventarin e forcave turke të sigurisë.
Për Vuran 4×4 janë zhvilluar konfigurime të ndryshme për t’u përdorur sipas nevojave dhe aftësive operacionale të Forcave të Armatosura të Turqisë. Në kuadër të kësaj autoblinde me mortajë Vuran 4×4 i zhvilluar nga BMC dhe ASELSAN është vendosur në përdorim të forcave të sigurisë.
Autoblinda Vuran 4×4 u shfaq duke u shndërruar në produkt nga inxhinierët turq të cilët bashkuan dinamikat e përvojës luftarake të Forcave të Armatosura Turke dhe vizionin e industrisë turke të mbrojtjes. Me referencën e Forcave të Armatosura Turke, Vuran 4×4 ka ngjallur një interes edhe jashtë vendit.
Lajmi për eksportimin e parë të Vuran 4×4 ka ardhur nga Kosova. BMC e cila i ka shtuar një risi eksportit që ka kryer kohët e fundit drejt Ballkanit, realizoi shitjen e parë jashtë vendit të Vuran 4×4 në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar me Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës.
Në fazën e parë do të prodhohen dhe dorëzohen 2 mjete Vuran 4×4. Prodhimi i mjeteve do të bëhet në partneritet mes BMC dhe ASELSAN.
Në mjet do të vihet në përdorim sistemi i mortajës 120 milimetra Alkar i kompanisë ASELSAN. Ky sistem i cili cilësohet si “bajoneta e re e ushtarëve turq”, me lëvizshmërinë dhe aftësinë e lartë të mbijetesës mund të kryejë detyra në kushte të vështira klimatike dhe gjeografike.
Qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në shtete të ndryshme të Evropës, nga dita e enjte, (1 korrik) nuk do paguajnë sigurimet kufitare kur hyjnë në Kosovë, ka bërë të ditur ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
“Prej sot, mërgata nuk ka nevojë të paguajë për policën kufitare. Me marrëveshjen e arritur me Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve, Qeveria mbulon çmimin e reduktuar për 35 për qind. Nëse llogariten edhe kursimet e tarifave bankare, me këtë marrëveshje do të kursehen mbi 3 milionë euro”, ka shkruar Murati në rrjetin social Facebook.
Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura, është dashur të paguajnë 15 euro për qëndrimin prej 15 ditësh. Ndërkaq, qëndrimi për një muaj kap vlerën e sigurimit prej 20 eurosh. Këto tarifa ndryshojnë nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.
Mbështetja për mërgatën me vlerë prej pesë milionë euro, është paraqitur edhe në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, të publikuar të mërkurën nga Qeveria e Kosovës.
Në pako thuhet se do mbulohet kostoja e reduktuar e policës kufitare për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, deri sa të zgjidhet përfundimisht çështja e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër.
Kartoni i Gjelbër vërteton se një automjet përfiton në mënyrë të mjaftueshme nga mbulimi i përgjegjësisë nga sigurimi. Kështu, kur makina përfshihet në një aksident në territorin e një shteti ku vlen sistemi i Kartonit të Gjelbër, sigurimi mbulon koston (e lëndimit, dëmtimit, etj).
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore. Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasiguruara në qarkullim, çka e bën të pamundur sigurimin e Kartonit të Gjelbër.
Pas arrestimit të drejtorit të Financave të Komisionit të Pavarur të Mediave, Arben Bilalli, në pranga ka përfunduar edhe kryeshefi Luan Latifi.
Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se i arrestuari i radhës në KPM është kryeshefi Latifi.
Menjëherë pas arrestimit të Bilallit reagoi KPM, e cila i ofroi Prokurorisë së Shtetit bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rastit.
Mbrëmë u arrestua edhe drejtori i këtij Komisioni, Arben Bilalli.
Kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave, Luan Latifi, është arrestuar pak momente më parë pasi po dyshohet se është zhytur në afera korruptive.
Ai po dyshohet se së bashku me drejtorin e Financave të këtij institucioni kanë marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro me premtimin për mosndëshkimin e një subjekti biznesor.
Latifi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se ka para të gatshme në banka mbi 50 mijë euro, prej të cilave 23 mijë janë në llogarinë e gruas ndërsa 11 në llogarinë e fëmijëve.
Shuma të majme në banka mban edhe i arrestuari tjetër në këtë rast Arben Bilalli. Ai ka deklaruar se së bashku më bashkëshorten e tij kanë para të gatshme mbi 93 mijë euro në banka.
I pari i cili përfundoi në pranga lidhur me këtë rast ishte drejtori i Financave, Arben Bilalli.
Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
Ndërsa nuk vonoi shumë dhe për të njëjtin rast u arrestua edhe kryeshefi Luan Latifi.
Arrestimi i tij erdhi pas Prokuroria vlerësoi si të bazuar dyshimin se Latifi ka qenë në dijeni të qarta për kushtëzimet.
Ndaj Bilallit është kërkuar paraburgimi prej 30 ditësh.
Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.
Komisioni i Pavarur i Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.
Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 euro me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.
Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur të Mediave që nga viti 2008.
Komisioni i Pavarur të Mediave është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (televizionet dhe radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, e kanë shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtoren e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Vlora Hyseni.
Njoftimi për shkarkimin e saj bëhet i ditur përmes një komunikate nga zyra e kryeministrit Kurti.
“Vendimi për shkarkim e obligon Vlora Hysenin të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruajë të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara”, thuhet në komunikatë.
Nuk bëhen të ditura më shumë arsye të shkarkimit të zyrtares së lartë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Në udhëheqjen e AKI-së ka pasur vazhdimisht ndryshime gjatë viteve të fundit.
Vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.
Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.
Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.
Në muajin prill presidentja Osmani dhe kryeministri, Kurti, emëruan Petrit Ajetin, drejtor të Agjencisë.
Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.
Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i takon sigurisë. rel
Ligjvënësit kosovarë, të hënën e 12 korrikut do të kenë një seancë të rëndësishme. Në Kuvendin e Kosovës, nëpërmjet video-lidhjes do të paraqitet ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.
Pas aprovimit nga Komisioni për Legjislacion, data 12 korrik është caktuar për të dëgjuar pretendimet e Simmonsit. Ky i fundit pritet të raportojë për, siç pretendon ai, një mori skandalesh të EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave e ndikimet në dëshmitarë.
Se do të raportojë para deputetëve më 12 korrik, e ka konfirmuar për RTK-në vetë Simmons.
“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons. Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.
“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vie fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të Koronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.
Komuna e Prishtinës sot ka nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Amerikane në Prishtinë, për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale me një sipërfaqe prej 8,340 metra katrorë, për ndërtimin e rezidencës së re për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Prishtinë.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti si dhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.
Pas nënshkrimit të marërveshjes, kryetari Shpend Ahmeti tha se “Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë për vendin tonë. Me Ambasadën dhe Rezidencën e re të Shteteve të Bashkuara në tregojmë atë që është vendosur e bërë e qartë nga ShBA-të qysh vite më parë, që është një prej partnerëve tanë më të afërt dhe është këtu për të qëndruar. Për të qëndruar me ne, në këtë në tranzicion dhe për të zhvilluar shtetin tonë dhe ne jemi mirënjohës për këtë. Jam mirënjohës edhe ndaj Kuvendit Komunal si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes së cilave është adresuar kërkesa, andaj ju faleminderit edhe njëherë. Ajo që dua të theksoj është se kryetarët e ambasadorët shkojnë dhe vijnë. Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe njëherë mirënjohjen tonë për gjithçka mbetet për qytetarët janë institucionet dhe ne duhet të punojmë t’i fuqizojmë këto, andaj jam i lumtur që kemi pasur fatin të jemi nënshkrues të një marrëveshje që ka këtë qëllim”.
Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, z. Philip Kosnett tha se: “Sot, në emër të popullit amerikan, i shpreh falenderimet për kryetarin Ahmeti, Kuvendin Komunal dhe popullit të Prishtinës, që siguruan qasje në tokën mbi të cilën do të ndërtohet Rezidenca e re e Shefit të Misionit tonë. Një Rezidencë moderne, e cila do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve që të bashkohen me miqtë e tyre amerikan për të shkëmbyer ide dhe për të punuar së bashku për ndëtimin e një të ardhme të paqes, drejtësisë, dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit në Kosovë”.
Kjo pronë e paluajtshme i ofrohet në shfrytëzim Ambasadës Amerikane për 99 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Qytetarët e Gjakovës kanë kundërshtuar fuqishëm kthimin e shtetases serbe Dragica Gashiq, në këtë qytet. Familjarët e të zhdukurve janë të pakënaqur me vendimin e pushtetit komunal, i cili ka ofruar strehimin asaj. Nysrete Kumanova nga “Thirrjet e Nënave”, tha në Frontal në T7 se do t’i refuzojnë të gjithë serbët.
Ajo tha se serbët kanë kryer krime ndaj popullatës së pafajshme dhe i kanë rrëmbyer, kështu që familjarët e të zhdukurve i presin ata që 22 vite.
“Kriminelët serbë kanë bërë krime në qytetin e Gjakovës ndaj popullatës së pafajshme, i kanë rrëmby edhe sot pas 22 viteve ende na mungojnë njerëzit tanë. Në mesin e tyre edhe djali im i hasretit”, tha Kumanova në Frontal, transmeton Gazeta Express.
“Secili që është serb, Gjakovën e kanë humb të drejtën me vizitu e le me jetu. Serbet e Komunës së Gjakovës kanë qenë të organizuar të armatosur, s’kanë kursyer as pleqë e as fëmijë”, u shpreh ajo.
Ajo tha se asnjë nga serbët nuk e ka vendin në Gjakovë.
“Ai që ja ka mundësi të jetojë, le ta çojë në shtëpinë e vetë. S’ka të drejtë asnjë serbi ta lëjojë ta fut këmbën në Komunën e Gjakovës…Nuk e di kënd e ka mas që ja ka dhënë atë liri…”, u shpreh tutje ajo.
“Nuk po muj me kuptu, as Dragicë as kerkush hiç nuk e ka vendin në Gjakovë”, përfundoi ajo.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti me kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak.
RFE/RL
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, janë pajtuar të hënën se Serbia duhet t’i hapë arkivat, si dhe të japë më shumë informacione për varrezat masive, që dyshohet se janë në këtë shtet.
Sipas një komunikate për media nga kryeministria, Kurti është cituar të ketë thënë se Kosova ka 1632 persona të pagjetur, dhe se Qeveria e Kosovës është duke punuar për t’i gjetur trupat e tyre, pavarësisht etnisë.
Çanak, ka pikëpamje ndryshe lidhur me Kosovën, në krahasim me autoritetet serbe, dhe e pranon pavarësinë e Kosovës.
Prandaj, ai ka vizituar Kosovën bashkë me djalin dhe nipin e tij, pasi sipas tij, politika shtetërore e Serbisë, po ia paraqet të vërtetën popullit në Serbi.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6,500 persona.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.
Gërmimet e fundit janë bërë muajin e kaluar në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi.
Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.
Kryesuesi i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e të pagjeturve, Ibrahim Makolli, ka thënë në atë rast se hapja e arkivave ushtarake dhe policore në Serbi mund të ndihmojë në identifikimin e varrezave të tjera masive në Serbi.
Në Muzeun Kombëtar të Kosovës është promovuar Katalogu i Ekspozitës Arkeologjike “Dardania Antike” i punuar nga arkeologët Milot Berisha dhe Arben Hajdari, raporton Anadolu Agency (AA).
Katalogu i cili paraqet një narracion kronologjik të përmbajtjes së ekspozitës është i bazuar në referencë shkencore por i adoptuar si tekst edhe për lexuesin e zakonshëm. Ai është ilustruar me fotografi dhe harta të lokaliteteve arkeologjike në Kosovë, por edhe me fjalor shpjegues për to.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se duke mbrojtur trashëgiminë kulturore mirëmbahet kujtesa kolektive, forcohet ndjenja e përkatësisë dhe ndihmohet zhvillimi i vendit.
Kurti tha se qindra artefakte të koleksionit arkeologjik dhe qindra të tjera të koleksionit etnografik të Kosovës sot gjenden nëpër muzetë e Beogradit, për të cilat autoritetet kosovare edhe zyrtarisht gjatë këtij muaji i kanë kërkuar autoriteteve serbe kthimin e tyre në vendin e origjinës.
“Ndonëse kanë kaluar 23 vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë tonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi. Artefaktet tona janë marrë me qëllim të ekspozimit të përkohshëm, por, në rrethana të luftës. Marrëveshjet e nënshkruara nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë ndërsa moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare”, tha Kurti.
Ai tha se kjo nuk është shkelja e vetme, duke shtuar se në kohën kur po zhvillohej procesi për marrjen dhe transportin e artefakteve nga Prishtina në Beograd, Serbia “vazhdonte të shkatërronte pamëshirshëm monumentet kosovare”.
Në prezantimin e katalogut, Arsim Canolli, profesor në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin e Filozofisë, gjithashtu tha se Muzeu Kombëtar mbanë artefakte të një morie lokalitetesh arkeologjike gjithandej Kosovës por një pjesë të madhe të artefakteve të këtij muzeu mbahen ende në Serbi që nga qershori 1999.
“Katalogu është një narrativ, një libërth që jep informacione edhe më të mëdha se sa jepen në ekspozitë”, tha Canolli, duke shtuar se katalogu gjithashtu i jep ekspozitës kontekst historik.
Njëri nga autorët e tij, Arben Hajdari, tha se katalogu do të ndërtojë një panoramë të përgjithshme të rrugës nëpër të cilën ka kaluar Kosova, respektivisht territori i saj që nga periudha parahistorike deri në fundin e periudhës mesjetare.
“Përmes këtij katalogu ne synojmë që të ofrojmë një narracion muzeologjik i cili do të jetë një ndërmjetësues i rëndësishëm midis vizitorëve dhe eksponateve, respektivisht këtyre vlerave që përfaqësojnë këto eksponate të cilat do t’i ndihmojnë vizitorëve që t’i kuptojnë më mirë vlerat historike dhe arkeologjike që ato përfaqësojnë”, tha Hajdari.
Ekspozita arkeologjike “Dardania Antike” në Muzeun Kombëtar të Kosovës paraqet një repertor të pasur arkeologjik të artefakteve dhe ekofakteve nga epoka e neolitit deri te mesjeta e vonë, një periudhë rreth 8 mijë vjeçare. Ekspozita është hapur për publikun më 23 shkurt të vitit 2018 dhe që nga ajo ditë është vizituar nga mbi 30 mijë vizitorë.
Në promovimin e këtij katalogu ka marrë pjesë edhe Ambasadori i Turqisë, Çağrı Sakar, përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Kosovë, KFOR-it, deputetë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka theksuar katër qëndrime të Qeverisë që ai e udhëheq mbi marrëveshjen finale që synohet të arrihet me Serbinë. Kurti sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së tha se marrëveshja, përveç njohjes nga Serbia, duhet ta përfshijë edhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, raporton Gazeta Express.
Kurti tha se marrëveshja po ashtu mund të jetë e obligueshme vetëm në rast se bëhet sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatin.
“Të gjithë e dimë kërkesën për marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të obligueshme. Për neve marrëveshje përfundimtare është ajo që nuk e ndan njohjen nga Serbia prej ulëses në OKB për Kosovën. Pra, një marrëveshje e cila e ka vetëm njohjen nga Serbia. por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohjen nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare. Dhe marrëveshja është ligjërisht e obligueshme nga pikëpamja e bindja jonë atëherë kur ajo e ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatin”, tha Kurti.
Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk mund të vazhdojnë pafundësisht, ndërsa. Kurti tha se pavarësia e Kosovës është rezultat i kompromisit.
“E treta, po bëhen 23 vjet bisedime ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gati gjysma e kësaj periudhe nën ndërmjetësimin apo lehtësimin e Bashkimit Evropian. Nuk mund të vazhdojmë pafundësisht por duhet ta dimë qysh në fillim që dialogu, bisedimet nuk janë për statusin e Kosovës por për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë e që duhet të bazohen në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjellë. Dhe e katërta, pavarësia që e kemi është kompromis. Pavarësinë nuk e kemi shpallur para 13 vjetëve dhe 4 vjetët e para, pavarësia e kishte Pieter Feithin sipër si autoritet sovran ndërkaq tash e 13 vjet e ka Ahtisaarin brenda si kompromis që është dashur ta sjellë një rezolutë të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por që nuk ndodhi asnjëherë”, është shprehur Kurti.
Paraprakisht, ai ka folur për disa prej punëve të Qeverisë. Ai ka theksuar vizitat e politikanëve të jashtëm në Kosovë, si diçka që siç thotë, nuk ka ndodhur kurrë më parë.
“Kurrë nuk ka pasur për vetëm tre muaj më shumë vizita të udhëheqësve ndërkombëtarë e kryediplomatëve nga jashtë si dhe pritje jashtë vendit të presidentes Osmani, kryeparlamentarit Konjufca, kryeministrit, ministres së Jashtme Gërvalla dhe Qeverisë së Kosovës në përgjithësi. Së fundmi, unë u prita nga presidenti i Francës, Macron, e patëm në Kosovë si mysafir ministrin e Jashtëm të Italisë, Di Maio”, ka thënë Kurti.
Jahir Morina, afarist nga Kosova, ka mbi një dekadë që ka konteste gjyqësore për dy biznese të tij dhe ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare. Ai tregon se neglizhenca në sistemin e drejtësisë, sa i përket zgjidhjes se kontesteve ekonomike, i ka kushtuar me humbje milionëshe.
Shpresa e tij për zgjidhjen e këtyre lëndëve, është te krijimi i Gjykatës Komerciale të Kosovës. Qeveria e Kosovës, të martën, (22 qershor) ka miratuar projektligjin për krijimin e kësaj gjykate.
Në bazë të këtij projektligji, të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, do të jenë kompetencë e Gjykatës Komerciale.
Krijimi i kësaj Gjykate është një ndër çështjet më të rëndësishme që po ndodh në dy dekadat e fundit, në aspektin ekonomik në vend, thotë Jahir Morina, pronar i kompanisë “Princesha” që merret më ndërtimin e ndërtesave të larta.
“Ne kemi edhe dy kompani tjera që posedojmë që nga viti 2014 dhe jemi në procedura gjyqësore me institucione të ndryshme të Kosovës. Të dyja kompanitë llogariten të jenë të falimentuara, për shkak të moszgjedhjes së kontesteve. Flasim për 6-7 milionë euro për 15 vjet. Do të thotë dëmet janë ekstremisht të mëdha në biznese dhe ekonomi, për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Komerciale”, tha Morina.
Gjykata Komerciale do t’i ketë dy shkallë
Në projektligjin për Gjykatën Komerciale, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, thuhet se çdo person ka të drejtë t’i drejtohet kësaj Gjykate për të kërkuar mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të tij/saj ligjore, për aq sa veprimet për të mbrojtur ose zbatuar ato të drejta, janë brenda kompetencave të Gjykatës Komerciale.
Kjo Gjykatë do të funksionojë si gjykatë e specializuar, e ndarë në dy shkallë (Themelore dhe të Apelit), kompetente për gjykimin e kontesteve për çështjet komerciale dhe administrative në çështje komerciale, si dhe do të trajtojë kundërshtimet dhe ankesat në procedurat përmbarimore.
Zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët kanë sponsoruar këtë projektligj, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, se “besojnë se Gjykata Komerciale, në cilësi të gjykatës së specializuar, do ta rrisë efikasitetin dhe efektivitetin në shqyrtim dhe vendosjen e kontesteve, ku palë në procedurë janë bizneset.”
Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, tha se krijimi i Gjykatës Komerciale, do të rrisë efikasitetin e trajtimit të lëndëve të bizneseve, njëherësh procedura më të shpejta dhe cilësore.
Përfitimi kryesor nga themelimi i kësaj Gjykate, sipas tij, është që të gjitha kontestet ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe afaristëve, do kenë një adresë.
Rastet e kontesteve biznesore vonohen deri në 15 vjet
Moszbatimi i kontratave, vonesat në pagesa, problemi me pronat, janë disa nga mosmarrëveshjet ndërmjet bizneseve në Kosovë.
Njëherësh sipas Shahinit, duke zgjidhur kontestet me procedura më të shpejta se me procedurat standarde gjyqësore, Kosova krijon siguri më të madhe edhe për investitorët e huaj.
“Kjo Gjykatë do të mundësojë edhe shkurtimin e afateve kohore të kontesteve, sepse vitet e kaluara, ka ndodhur që një kontest në mes operatorëve ekonomikë, ka zgjatur shtatë deri 15 vjet, e që kjo është një e metë e madhe edhe si shtet dhe promovon pasiguri në zgjidhjen e kontesteve”, ka thënë Shahini.
Në projektligj, ndër të tjera thuhet se Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar dhe ka juridiksion ekskluziv për të gjykuar, në Dhomat e shkallës së parë dhe Dhomat e shkallës së dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, kontestet në mes të institucioneve publike dhe subjekteve private, si dhe kontestet në mes të personave juridikë vendorë dhe të huaj, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare.
Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte paralajmëruar edhe nga ish-ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Në Kosovë që nga viti 2011, janë hapur disa qendra të arbitrazhit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve biznesore, të cilat mund të shfrytëzohen për t’i shmangur proceset e gjata gjyqësore.
Qendrat e arbitrazhit funksionojnë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Por, ndonëse në zyrat e arbitrazhit është thënë se kontestet ekonomike mund të zgjidhen brenda një periudhe gjashtëmujore, bizneset kanë hezituar që t’iu drejtohen këtyre qendrave të arbitrazhit dhe numri i rasteve që trajtohen nga këto qendra, vazhdimisht ka qenë i ulët.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka njoftuar se ka zhvilluar një takim virtual me gjeneralin amerikan, Wesley Clark, derisa ka bërë me dije se ky i fundit ka pranuar ftesën për vizitë në Kosovë.
“Gjeneralin Clark e ftova për vizitë në Ministrin e Mbrojtjes dhe FSK , të cilën ma konfirmoi me kënaqësi, vizitë kjo që do të realizohet së shpejti”, ka njoftuar ministri i dikasterit të mbrojtjes përmes ‘Facebook’-ut, përcjell Gazeta Express.
Mehaj ka thënë se për të ishte nder i madh dhe privilegj i veçantë, të takohet me gjeneralin historik amerikan, Clark me të cilin biseduan përmes video-lidhjes, për rreth një orë.
“I thashë se ju jeni Heroi i Kombit dhe të gjithë qytetarëve liridashës të Kosovës dhe i tillë do të jeni gjithmonë. Gjeneral Clark më bëri nder të veçantë në jetë dhe karrierën time duke shprehur vullnetin e tij të plot për këshillim nga eksperienca e tij ushtarake dhe diplomatike, si dhe autoriteti i tij i jashtëzakonshëm në qendrat e vendimmarrjes botërore”, ka pohuar Mehaj.
Tutje, ministri ka bërë të ditur se “gjenerali Clark shprehu gatishmërinë e tij të plotë të mbështes me këshillimin e tij në realizimin e qëllimeve të mia strategjike dhe objektivave të mi operacional për zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së”.
Deputeti i AAK-së njëherit edhe kryetar i këtij subjekti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të formojë Komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
“Unë i propozoj Qeverisë që të formojë komisionin shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Ai komision nuk është ekzistues, ka pas shkarkime dhe dorëheqje. Ju premtoj që si Aleancë do ju përkrahim për formimin e këtij komisioni”, ka thënë Haradinaj.
Ramush Haradinaj ka shtuar se arsyeja që duhet të krijohet ky komision, është sepse nuk ka ndodhë demarkimi me Malin e Zi. “Komisioni i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, nuk i kanë qit gurtë. Kufiri që është sot është ai që e kemi gjet para marrëveshjes”, u shpreh Haradinaj.
Deputeti i AAK-së, më tej ka shtuar se Kuvendi i Kosovës ka hyrë në obligim për t’i zbatuar të gjeturat e raportit të Komisionit Shtetëror.
“Nëse nuk respektohet raporti i këtij komisioni atëherë bëhet shkelje ligjore por edhe Kushtetuese. Nëse Mali i Zi nuk shpreh gatishmëri të ecet në këtë radhë, atëherë kjo çështje duhet të kalojë në arbitrazh. Mali i Zi është vend mik dhe nuk kem arsye me krijuar tensione të panevojshme”, tha Haradinaj.
Akademia Diplomatike e Kosovës ka organizuar konferencë akademike, ndërkombëtare, me temën “Politika e jashtme e Kosovës – një qasje proaktive”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë konferencë ku morën pjesë ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe njohës të çështjeve të Ballkanit Perëndimor dhe diplomatë të shumtë u diskutua politika e jashtme kosovare, historiku i saj, aktualiteti dhe e ardhmja e diplomacisë kosovare.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Liza Gashi, duke folur për dialogu Kosovë-Serbi tha se sipas institucioneve të larta kosovare, ai duhet të jetë dialog me principe, i bazuar në reciprocitet.
Ajo tha se drejtësia dhe paqja janë dy fushat me rëndësi të lartë për diplomacinë kosovare.
“Kur është fjala për integrimin euro-atlantik ky është një konsensus nacional dhe shoqëror. Në Kosovë integrimi euro-atlantik nuk është vetëm qëllim i ngushtë politik por i gjithëmbarshëm, konsensus nacional e shoqëror. Për shkak të kërkesës së shoqërisë, ne jemi të vendosur të ecim përpara dhe të shohim Kosovën, këtë vend të vogël, të integruar plotësisht në strukturat euro-atlantike”, tha Gashi.
Gashi tha se Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore, duke përmendur si shembull raportet me Maqedoninë e Veriut. Sipas saj, Kosova nuk është vetëm konsumuese e paqes, por edhe partnere e besuar në këtë çështje.
Drejtori i Përgjithshëm i MPJD-së, Albert Prenkaj tha se qëllimi i konferencës ka për fokus zbërthimin e idesë mbi politikë e jashtme të shndërruar “nga reaktive në perspektivë proaktive”.
Sa i përket identitetit të Kosovës, sipas Prenkajt, ajo është shembull në Evropë për liritë dhe të drejtat për minoritetet.
“Sistemi i vlerave kushtetuese që përbëjnë konstruktin e identitetit të Kosovës janë liria, demokracia, të drejtat e njeriut, standarde të larta për të drejtat e minoriteteve. Promovimi i tyre është duke e bërë Kosovën me një identitet unik internacional dhe kampione në aspektin kushtetues dhe ligjor jo vetëm në regjion por gjithashtu edhe në Evropë”, tha ai.
Në këtë takim, virtualisht kanë marrë pjesë edhe shumë të ftuar nga vende të ndryshme të botës.
Profesori i Universitetit të Kolumbias, David Phillips, i cili u lidh në konferencë virtualisht tha se ka diskutuar edhe me kryeministrin Kurti për çështje të ndryshme të diplomacisë, ndërsa ai tha se Kurti ka përmendur punësimin, dialogun Kosovë-Serbi dhe menaxhimin e pandemisë si tri top-prioritete.
Philips tha se Kosova edhe më tej ka nevojë për forcimin e demokracisë dhe të ligjit, gjithashtu për një plan ekonomik, që e hapë atë duke e bërë faktor në ekonominë rajonale.
Akademia Diplomatike është institucion i pavarur, që në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka për qëllim të zhvillojë aftësitë (diplomatike) profesionale të diplomatëve. Ky institucion është themeluar më 8 mars 2012 me vendimin e Qeverisë si institucion publik që ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e anëtarëve të stafit diplomatik dhe zyrtarëve të tjerë që shërbejnë nëpër misionet e Kosovës jashtë vendit.
Misioni i EULEX-it në Kosovë ka reaguar ndaj ish-gjyqtarit të këtij misioni, Malcolm Simmons, duke thënë se pretendimet se EULEX-i ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës tek autoritetet në Serbi nuk janë të vërteta.
Megjithatë në komunikatën e tyre zyrtare, EULEX e pranon që kanë bashkëpunuar me autoritetet e Serbisë për atë siç e thonë “për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës”.
EULEX e pranon që ka ndarë dhe u ka dalë në ndihmë autoriteteve serbe, megjithatë thonë se këtë e kanë bërë në prani të prokurorëve të Kosovës dhe se bëhet fjalë për disa raste të krimeve të luftës.
Në komunikatë theksojnë se kjo ka ndodhur mes viteve 2014-2018, derisa potencojnë se kjo praktikë ishte ndërprerë gradualisht me ndryshimin e misionit e EULEX-it.
Reagimi i plotë:
Për sa i përket pretendimeve të fundit se Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u ka dorëzuar dosjet për krimet e luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, Misioni dëshiron të theksojë se këto pretendime nuk janë të vërteta.
EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve prokuroriale të Serbisë, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet hetimore dhe rastet.
Përgjatë mandatit ekzekutiv të EULEX-it, Misioni është përpjekur të siguronte përgjegjësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë. Sidoqoftë, deri në fund të mandatit ekzekutiv të EULEX-it në qershor 2018, Misioni nuk ka mundur të vazhdonte me rastet për krime lufte që pretendohej se ishin kryer nga individë që ndodheshin jashtë Kosovës, përfshirë të dyshuar që dihej se jetonin në Serbi, sepse ligji i aplikueshëm i Kosovës nuk lejonte mundësinë e gjykimit në mungesë.
Në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë. Në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione dhe u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht.
Në të gjitha këto rrethana, bashkëpunimi me autoritetet serbe, i cili ka çuar në një gjykim të shkallës së parë ku nëntë të pandehur u shpallën fajtorë për kryerjen e veprës penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile, ishte i bazuar në dispozitat përkatëse të kodit të aplikueshëm të procedurës penale të Kosovës si dhe legjislacionin për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar për çështjet penale.
Gjatë gjithë kësaj periudhe të bashkëpunimit, të gjitha dosjet origjinale të krimeve të luftës mbetën në posedim të EULEX-it, kurse ato më pas iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës pas përfundimit të mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Më konkretisht, deri në dhjetor 2018, EULEX-i u dorëzoi autoriteteve të Kosovës 495 dosje të rasteve të policisë për krim të organizuar, 434 dosje të rasteve të policisë për krime lufte, dosje të rasteve të personave të zhdukur, dosje të rasteve gjyqësore të trajtuara vetëm nga EULEX-i dhe më shumë se 1.400 dosje të rasteve prokuroriale. Dosjet e rasteve prokuroriale përbëheshin nga rastet në proces, rastet të cilat ishin pushuar ose përfunduar, si dhe rastet të cilat ishin përfunduar dhe arkivuar nga EULEX-i. Shumica e këtyre dosjeve të rasteve kanë të bëjnë me krime lufte, krim të organizuar, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë kësaj jave do të zhvillojë takimin e parë me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit pas një takimi që Kurti mbajti dje Kurti me këshilltaren politike për Ballkan të Presidentit francez Emmanuel Macron, Isabelle Dumont, ambasadoren e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, këshilltarin në Drejtorinë e Evropës Kontinentale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës, Guillaume Rousson, dhe këshilltarin e parë në ambasadë, Cyprien François.
Siç njoftohet, temë diskutimi ishte edhe vizita e fundit e kryeministrit Kurti në Bruksel dhe për kapitullin e ri të dialogut me Serbinë.
Sipas Zyrës së Kryeminsitrit, ky takim u mbajt në përgatitje të vizitës së Kurtit në Paris gjatë, ku do të zhvillohet takimi i parë me Presidentin Macron.
Para rreth tre muajve presidenti i Francës, Emmanuel Macron i kishte dërguar letër kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës e kishte uruar atë për postin dhe i kishte kërkuar që të mos e ndërpresë dialogun me Serbinë.
Macron ndër të tjera në letrën e tij për të diskutuar në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi e kishte ftuar Kurtin për një vizitë zyrtare në Francë.
“Unë dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e Francës për të gjitha këto prioritete, për të mirën e kosovarëve dhe për afrimin të vendit tuaj me Evropën. Unë do të isha shumë i lumtur t’ju mirëprisja në Paris së shpejti për të diskutuar rreth këtyre temave,” thuhej në letër.
Ish-gjyqtari i EULEX-it Malcolm Simmons ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet ta hetojë Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, raporton Gazeta Express.
Simmons ka shkruar në Twitter se një hetim parlamentar mes tjerash duhet të jetë edhe dorëzimi në Serbi i dosjeve të prokurorisë për krimet e kryera në Kosovë, nga ana e EULEX-it.
“Çështjet që duhet të jenë objekt i një hetimi parlamentar përfshijnë: 1. EULEX-i i dorëzon Serbisë dosjet e prokurorisë në lidhje me krimet e luftës të kryera në Kosovë; 2. Pretendimet e dokumentuara të ndërhyrjes në gjykimet penale; 3. Pretendimet e dokumentuara të manipulimit të dëshmitarëve të mbrojtur”, ka shkruar Simmons.
Simmons ka kërkuar që të dëshmojë para Kuvendit të Kosovës, për siç ka thënë shtrembërimin e drejtësinë në Kosovë nga ana e Bashkimit Evropian.
Sipas tij, vendimi për t’i dëgjuar këto prova në Kuvend është një test i rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë, por edhe për vetë Kuvendin.
“Qëllimi im është që të jap prova në Parlamentin e Kosovës për mënyrën se si Bashkimi Evropian e ka shtrembëruar drejtësinë në Kosovë. Vendimi për t’i dëgjuar apo jo provat e mia do të jetë një test i rëndësishme për Parlamentin dhe për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka shkruar Simmons.
Gazeta Express ka dërguar pyetje tek zyrtari për Marrëdhënie me Publikun në Kuvendin e Kosovës, Musli Krasniqi lidhur me atë se a do t’i mundësohet ish-Gjykatësit të EULEX-it, Malcolm Simmons për të dëshmuar në Kuvend por që i njëjti s’ka kthyer përgjigje.
Simmons i ka dërguar letër edhe kryeministrit Kurti para disa ditësh ku i ka bërë të ditur se ka 3 muaj që ka kërkuar të raportojë në Kuvend për skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX.
Ai edhe nëpër deklarata publike ka shprehur vullnetin të raportojë dhe të ndihmojë institucionet në hetime me punën e EULEX-it në Kosovë.
Simmons, ka punuar si gjykatës në gjykatat e Kosovës që nga viti 2008 dhe në Misioni Evropian pȅr Sundim tȅ Ligjit-EULEX, deri në vitin 2017.
PRISHTINË (AA) – Katër kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë diplomuar në kuadër të 112 studentëve të cilët diplomuan në Universitetin e Shkencave Mjekësore, gjegjësisht në Fakultetin e Mjekësisë në Gülhane të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes së Kosovës, katër kadetët e FSK-së pas gjashtë vjet të studimeve, kanë marrë titullin Doktor i Përgjithshëm si dhe gradën ushtarake Nëntoger.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Atasheu i Mbrojtjes në Ankara, kolonel Bekim Osmani, i cili në emër të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e lartë Rektorit të Universitetit të Shkencave Mjekësore për mbështetjen që ky institucion ka dhënë dhe vazhdon të jep për FSK-në.
“Me këtë sukses, FSK-së i shtohen kapacitetet profesionale mjekësore ushtarake në procesin e ngritjes së aftësive dhe kapaciteteve të nevojshme të mbështetjes operacionale”, përfundon njoftimi.
Motra e Ukshin Hotit, Myrvete Hoti-Kosumi, po beson se vëllai i saj gjendet në burgjet e Serbisë, raporton Gazeta Express.
E ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin, ajo është shprehur se ende beson që do ta takoj të gjallë Ukshin Hotin.
“Mendoj se ai është në burgjet e Serbisë. Kjo për shkak të inteligjencës së tij. Ata e kanë vlerësuar atë, e kanë parë rrezikun ndaj atij. Unë besoj që do ta takoj të gjallë. Derisa nuk del e kundërta, unë besoj ende”, ka thënë ajo.
Ajo ka treguar se një serbe, e cila dhëndrin e kishte ushtarak i kishte treguar se Ukshin Hoti është gjallë në burgun e Nishit.
“Unë kam dashtë me gjet vëllain tim. Me një serbe 3 vjet kam pasur kontakte. Ajo më ka thënë se e ka pa Ukshinin në burg të Nishit. Ajo e ka pas qikën në administratë dhe dhëndrin ushtarak. Në prezencën time ajo ka thënë se ai është gjallë, por nuk lëvizke askush. Ajo më pyeste se çfarë është në pyetje pse nuk po lëviz askush”, ka deklaruar ajo.
Hoti-Kosumi thotë se deri tani nuk ka pasur mbështetje për zbardhjen e fatit të vallait të saj.
“Deri tani nuk jam e kënaqur. Unë kam vrapuar edhe në Shqipëri edhe në Kosovë e Maqedoni. Kam kërkuar ku është vëllai im, por deri tani kam hasur në vesh të shurdhur. Nuk më ka përkrahur askush”, ka theksuar ajo.
Ajo është shprehur se nuk do të dorëzohet kurrë së kërkuari Ukshin Hotin e të vërtetën për të.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka thënë se Kosova ka detyrim që ta foromojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai tha se historia nuk ka nisur në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit, transmeton Gazeta Express.
“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara me të vërtetë besojnë se Kosova ka një detyrim për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Historia nuk filloi në ditën kur u formua Qeveria e Kurtit, dhe ne besojmë se vendet kanë detyrimin t’i respektojnë marrëveshjet dhe zotimet e bëra më parë… Unë e di që disa njerëz kanë thënë që ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë kompromis. Nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, ka deklaruar Kosnett për Radio Kontakt Plus.
Diplomati amerikan beson se nuk do të ketë shumë hapësirë për përparim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nëse të dy palët nuk janë të gatshme për kompromis.
“Administrata Biden studioi me kujdes marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar nga Vuçiq dhe Hoti në Shtëpinë e Bardhë dhe arriti në përfundimin se këto janë gjëra që duam t’i shohim palët të vazhdojnë t’i përmbushin. Ato pika rrisin tregtinë, investimet, shtojnë përpjekjet në luftën kundër terrorizmit… Ne presim që njerëzit të mos thonë, mirë, plani i Ahtisaarit nuk do të thotë asgjë më, sepse ka pasur një ndryshim në qeveri”, deklaroi Kosnett.
I pyetur nëse ai ndan optimizmin e të Dërguarit Special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, i cili tha në fillim të qershorit se mendon që arritja e marrëveshjes këtë vit është “absolutisht e mundur”, Kosnett tha ndër të tjera se është e rëndësishme të ecim përpara me një sens të caktuar urgjence.
“Sigurisht, është e nevojshme të zhvillohen negociata serioze. Kryeministri Kurti ka thënë shumë në lidhje me dëshirën për t’u përgatitur siç duhet për negociatat. Ne besojmë se është e rëndësishme që njerëzit të jenë të përgatitur për bisedime serioze, por edhe të ecin përpara për atë çështje me një sens të caktuar urgjence”, deklaroi Kosnett.
Ai është i mendimit se nëse duan më shumë investime në rajon, vendet e Ballkanit duhet t’i thyejnë barrierat dhe ta krijojnë një treg rajonal.
“Unë mendoj se ka një dritare mundësish këtu, ku është e qartë për mua që njerëzit e kuptojnë, njerëzit nga të dy vendet, njerëzit në të gjithë Ballkanin Perëndimor e kuptojnë se duhet të ketë një qasje rajonale për zgjidhjen e problemeve rajonale… Në këtë kuptim, kryeministri Kurti u kthye së fundmi nga një takim i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Shqipëri, ku paraqiti një propozim të ri për një qasje të re të bashkëpunimit ekonomik rajonal. Dhe ajo që unë mendoja se ishte e rëndësishme nuk ishin detajet e propozimit, por fakti që kryeministri Kurti shkoi në takim. Ai foli jo vetëm për atë që nuk i pëlqente për qasjet e tjera, ai tashmë ka prezantuar ide të reja. E dini, një gjë që kam mësuar në Kosovë është që njerëzit flasin shumë mirë për atë që nuk duan ta bëjnë dhe atë që nuk u pëlqen. Pra, kur flasim për rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal, njerëzit do të thoshin, ju e dini, nuk na pëlqen ideja e një mini Shengeni, nuk na pëlqen Procesi i Berlinit, nuk na pëlqen CEFTA. Në rregull, atëherë le të dëgjojmë disa ide të tjera dhe mendoj se Kosova mund të zërë një vend në tryezë dhe të flasë me Serbinë dhe të gjitha vendet e tjera në rajon për mënyrën më të mirë. Unë do të them diçka tjetër pse kjo kohë është e rëndësishme. Kryeministri Kurti sapo ka fituar zgjedhjet me një mandat të fortë. Është e qartë se populli i Kosovës dëshiron ndryshim në shumë nivele dhe unë mendoj se dëshira për ndryshim, stabilitet dhe mundësi ekonomike ka bërë jehonë në të gjithë rajonin”, tha Kosnet.
Nëse ai sheh hapësirë për një zgjidhje kompromisi midis Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh se për Serbinë Kosova është pjesë e saj, ambasdori amerikan tha se koha nuk është në të dy palët.
“Unë nuk jam ambasador në Serbi. Unë do t’i lë të tjerët të flasin për këtë. Mendoj se armiku më i madh i Kosovës është vetëkënaqësia. Çfarë dua të them me këtë? Gjatë njëzet viteve të fundit, një situatë ka lindur në Kosovë ku njerëzit janë mësuar shumë me komunitetin ndërkombëtar që hedh shumë para në vend, duke ndihmuar popullin e Kosovës për t’i zgjidhur problemet e tyre. Sa herë që ndodh një krizë, anëtarët e Quintit, KFOR-i ose BE-ja janë atje për t’ua mbajtur duart njerëzve dhe për t’i ndihmuar ata në momente të tilla. Nuk do të zgjasë përgjithmonë. Kosova është bërë shumë e varur, me disa që thonë se deri në 30% e ekonomisë së saj bazohet në të hyrat nga diaspora. Nuk do të vonojë shumë. Dhe unë them që sepse në SHBA kemi shumë përvojë me komunitetet e emigrantëve që vendosen në SHBA. Modeli është gjithmonë i njëjtë. Brezi i parë do të dërgojë shumë para në shtëpi, gjenerata e dytë jo. Unë mendoj se kjo është gjithashtu e vërtetë për diasporën e Kosovës në të gjithë Evropën”, tha Kosnett.
Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, mbeten partner i Kosovës, por programet e tyre të ndihmës synojnë ta ndihmojnë Kosovën të bëhet vend i pavarur që është i vetëmjaftueshëm dhe nuk synojnë të jenë grante të përhershme.
Kosnett theksoi se shoqëria e Kosovës duhet të bëhet më e pjekur dhe të marrë më shumë përgjegjësi.
“Ne presim që Kosova të bëhet më e pjekur si demokraci dhe si ekonomi dhe të marrë më shumë përgjegjësi. Nuk mendoj se kjo është diçka negative. Është normale që një vend në të cilin ne ofrojmë ndihmë të madhe, ta ndihmojë në ndërtimin e kapaciteteve të tij, të bëhet gjithnjë e më i pavarur. Rreth një vit më parë, një nga udhëheqësit politikë të Kosovës më tha, e di, është faji i ndërkombëtarëve që ne varemi kaq shumë nga ju dhe nuk mund të prisni që kjo të ndryshojë brenda natës, sepse ju e krijuat këtë kulturë. Dhe kjo duhet të merret parasysh, por përgjigjja ime është të shohim se si amerikanët i trajtojnë fëmijët e tyre. Ne i trajtojmë ata si bizhuteritë e çmuara për 18 ose 20 vjet, dhe pastaj ne themi mirë, shkoni dhe gjejeni një punë, gjejeni një apartament, jetoni jetën tuaj. Ne nuk pushojmë së dashuruari fëmijët tanë”, deklaroi Kosnett.
“Është koha që ata të bëhen më të përgjegjshëm për të ardhmen e tyre”, theksoi ambasadori amerikan.
Kur u pyet se si e sheh letrën e Albin Kurtit drejtuar abatit të manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, në të cilën ai deklaron se dëshiron ta vizitojë këtë manastir, si dëshirë të sinqertë.
“Kam biseduar për këtë me kryeministrin Kurti. Mendoj se ai dëshiron sinqerisht ta vizitojë manastirin. Mendoj se do të ishte e dobishme nëse ai do të mund ta vizitonte. Në të njëjtën kohë, qeveria ime ka qenë duke e konsideruar për një kohë të gjatë, e cila është e qartë, se ka kaluar shumë kohë dhe se Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që më shumë se pesë vjet më parë. Ne e shohim këtë si çështje të drejtpërdrejtë të sundimit të ligjit. Kryeministri Kurti u zgjodh në bazë të një angazhimi të fortë për ta respektuar shtetin e së drejtës. Ne presim që ai të përmbushë shumë detyrime të tjera”, tha Kosnett.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar takimin e gjashtë koordinues mes kryetarëve të Komisioneve Parlamentare mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi është organizuar me synim të ofrojë një platformë diskutimi, bashkërendimi dhe pajtimi në mes të komisioneve parlamentare në Kosovë rreth rolit të tyre në procesi e dialogut.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në këtë takim të cilin e konsideroi si “hartëzues” të marrëveshjeve të arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë, tha se nga fillimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi ka qenë problem implementimi i marrëveshjeve.
Ai madje tha se qeveritë e kaluara shumë shpesh kanë miratuar marrëveshje në kuadër të dialogut, por asnjëra nuk u ka sjellë atë për të cilin qeveritë kanë pritur.
“Marrëveshjet duhet të shihen si një lloj i verifikimit të njëhershëm me shumë kujdes i asaj që është arritur, i asaj që ndoshta është nënshkruar me disa shpjegime të atëhershme prej Qeverisë së Kosovës që këto do të na sjellin integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, madje edhe me liberalizim të vizave është lidhur procesi i dialogut, por këto nuk i kemi asnjërin”, tha Konjufca.
Jeta Krasniqi nga KDI tha se procesi i dialogut nuk ka transparencë të mjaftueshme pasi që tha shumë prej marrëveshjeve nuk janë të publikuara. Ajo shtoi se shoqëria civile është e gatshme të bashkëpunojnë në procesin e dialogut.
Krasniqi tha se disa marrëveshje bien në domenin e disa komisioneve dhe në momentin kur bëhet shkëmbimi i informacionit, atëherë mund të bëhet “në mënyrë më efektive mbikëqyrja e procesit të dialogut”.
“Synimi jonë ka qenë transparenca në një anë, pasi ky proces nuk shquhet për ndonjë transparencë të madhe, duke e ditur se është një proces në përgjithësi konfidencial. Ka ende marrëveshje të cilat nuk janë ende plotësisht të publikuara si është Plani i Zbatimit të Marrëveshjes së Drejtësisë, një dokument që ende nuk është publik, por shohim se ato marrëveshje zbatohen dhe në pika caktuara janë ta zbatueshme në pika të caktuara ka ngecje”, tha ajo
Ndërkaq, kryetar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, tha se çështja e Asociacionit me komuna me shumicë serbe duhet të zhvendoset nga diskursi publik ngase është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe në të janë gjetur disa shkelje.
“As qeveria e Serbisë nuk e sheh asociacionin me implikime ligjore ata vetëm e kanë miratuar një raport, nuk kanë miratuar në Kuvendin e tyre ndonjë marrëveshje. Kështu që, ajo as këtu as atje nuk ekziston. Ata nuk e shohin atë si marrëveshje ndërkombëtare, çuditërisht ne në Kosovë e shohim atë si marrëveshje ndërkombëtare”, tha Muja.
KDI në këtë takim ka ndarë me komisionet parlamentare rekomandimet, të arriturat dhe sfidat që komisionet kanë pasur në monitorimin e marrëveshjeve të dialogut, të evidentuara nga pesë takimet e mbajtura mes komisioneve parlamentare të legjislaturave të kaluara.
Sot në Bruksel është zhvilluar takimi i radhës midis palës kosovare dhe asaj serbe në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE). Në takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka parashtruar katër kërkesa, për të cilat në njërën tha se është heshtur, ndërsa tre janë refuzuar nga pala serbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 17 tetor 2021 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Presidentja ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një njoftim nga Presidenca.
Shpallja e datës së zgjedhjeve pason konsultimet që ka zhvilluar presidentja Osmani me përfaqësuesit e partive politike në fillim të muajit qershor.
Më 14 qershor, një ditë para shpalljes së datës për zgjedhjet lokale, presidentja Osmani ka shkarkuar Valdete Dakën nga pozita e kryesueses së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe në këtë pozitë ka emëruar Kreshnik Radoniqin, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.
Partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë kundërshtuar vendimin duke thënë se ai rrezikon edhe pavarësinë e mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas zgjedhjeve të fundit parlamentare më 14 shkurt, zgjedhjet lokale do të krijojnë një hartë të re politike, por ndryshimi nuk do jetë i theksuar si në nivel qendror.
“Do të ketë ndryshime, por nga ajo që shihet edhe nga vetë qytetarët, nuk është se janë më të kënaqurit nga të zgjedhurit në nivel qendror. Kështu që nuk besoj se kjo shumicë do të reflektojë edhe në nivel lokal, sepse ka një zhgënjim mjaft të madh sa i përket punës së qeverisë deri më tani, pasi i kanë të gjitha mundësitë që të punojnë dhe marrin vendime më të shpejta, për shkak të shumicës që kanë në Kuvendin e Kosovës”, tha Demolli-Nimani.
Kryetari i ri i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi duke bërë betimin para presidentes, Vjosa Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkarkuar kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
“Kryetarja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve te parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cenuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së. Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike, kështu duke pamundësuar balancën e nevojshme në këtë organ. Në fakt, në disa raste, sjelljet e kryesueses janë të njëjta me ato të disa përfaqësueses të partive politike të KQZ-së. rrjedhimisht, kryesuesja, qoftë me veprim apo mosveprim, ka kontribuar në përshkallëzim të situatës përgjatë mbledhjeve të këtij organi”, thuhet në vendimin e presidencës.
Pas shkarkimit të Dakës, Osmani emëroi Kreshnik Radoniqin, kryetar të ri të KQZ-së, i cili është gjyqtar në Departamentin special të Gjykatës së Apelit.
Radoniqi ka kryer studimet në nivelin bachelor në Prishtinë, ndërkaq ato të nivelit master në Shtetet e Bashkuara.
Shoqëria civile: Shkarkimi i Dakës, i motivuar politikisht
Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë kundërshtuar vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Dakës, duke e cilësuar si vendim të motivuar politikisht, “si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”.
“Bazuar në vendimin për shkarkim, ne vlerësojmë që argumentet e shtruara nga presidentja janë të pabazuara dhe paraqesin keqinterpretim të situatave përkatëse”, thuhet në reagimin e organizatave të shoqërisë civile.
Ndërkaq, më herët gjatë të hënës, Radio Evropa e Lirë raportoi se gjatë takimit në mes të Dakës dhe presidentes, Osmani, kjo e fundit i kërkoi Dakës dorëheqjen nga kreu i KQZ-së, në këmbim të një “mirënjohjeje”.
Por Daka refuzoi të japë dorëheqjen, pasi siç ka thënë ajo, “ka kryer detyrën në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Kryetari i KQZ-së emërohet dhe shkarkohet nga presidenti. Mandati shtatëvjeçar i Dakës përfundonte më 2025.
Gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Daka e ka udhëhequr Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nga qershori i vitit 2010.
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë bërë homazhe në Prishtinë te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, në 22 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë.
Ndërhyrja e NATO-s, përkatësisht dislokimi i trupave paqeruajtëse të KFOR-it më 12 qershor, 1999, pasoi fushatën e sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjati 78 ditë.
Kjo ditë, shënohet edhe si Dita e Lirisë apo Çlirimit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu tha se hyrja e forcave të NATO-s së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i sollën vendit, pas një sakrifice mbinjerëzore lirinë, çlirimin dhe paqen.
“Kjo pllakë përkujtimore shënon historinë e re te Kosovës dhe bashkëpunimin tonë të fuqishëm me aleatët perëndimorë”, tha Osmani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se liria ishte pasojë e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe martirëve, por po ashtu edhe i “bashkimit të kontributit të përpjekjes tonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtar”.
“Me vete faktin që aleanca me e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës dhe u mobilizua struktura me e madhe ushtarake demokratike në botë dhe e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo ushtroi mbi popullin e Kosovës, kjo flet se kauza jone ishte e drejtë, që liria jone ishte shumë e shenjtë, prandaj duhet ta mbrojmë e ta ruajme atë me çdo kusht”, tha Konjufca.
Ndërsa kryeministri, Albin Kurti tha se në qershorin e vitit 1999 këmbësoria e NATO-s iu bashkua ndërhyrjes ajrore “kundër Jugosllavisë së Millosheviqit për ta ndaluar, gjenocidin kundë popullit shqiptar”
“Më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe ia përkujtojmë vetes për çdo dite sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan dhe dhanë jetën, ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, pavarësisë sonë, të cilën duhet ta shpiejmë më tej me zhvillim drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.
Sulmet ajrore, filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës, ku me ndërmjetësimin ndërkombëtar ishte zhvilluar konferenca paqësore atë kohë ndërmjet autoriteteve të atëhershme të Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës. Marrëveshjen e kompromisit e kishte pranuar pala nga Kosova, por jo edhe delegacioni nga Serbia, çka edhe solli më pas vendimin e shteteve perëndimore dhe NATO-s, për nisjen e fushatës ajrore kundër caqeve ushtarake serbe. Këto sulme, u ndërmorrën për të ndalë krimet dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ana e forcave serbe nën komandën e Sllobodan Millosheviqit.
Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën tranzitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Një ditë më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999, kishte mundësuar edhe kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve, personave të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës.
Më 12 qershor 1999 filloi vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.
Sot, 22 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, trupat e paqeruajtëse të KFOR-it (NATO-s) janë në numër më të vogël, gjithsej 3.600, në pjesë të ndryshme të Kosovës me mision paqeruajtës.
Zëvëndëskomandanti i KFOR-it, Gunter Schopf, tha se KFOR-it do të qëndrojë aq sa do të jetë e nevojshme për të ruajtur paqen për të gjitha grupet etnike në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po raporton në kuvend për ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë.
Në fillim të seancës, kryeministri Kurti bëri analizë të proceseve të kaluara të dialogut dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Kurti përmendi një nga një marrëveshjet e arritura në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë, duke thënë se nga to pritej përmirësimi i jetës së qytetarëve të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, gjë e cila sipas tij nuk ndodhi.
Duke folur për marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës, kryeministri Kurti tha se vërehen deficite shumë të mëdha.
“Ndonëse arsyeja e vendosjes së fusnotës ishte fakti që pesë shtetet e BE-së dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës apo Kosovën si Republikë, fusnota nuk i është vënë termit Republikë, por emrit Kosovë. Fusnota i është vënë emrit Kosovë. Dëmi që është shkaktuar nga qeveritë paraprake është se 22 shtete të BE-së që e njohin republikën tonë, sot detyrohen t’i nënshtrohen vullnetit të pesë shteteve anëtare”, deklaroi Kurti.
Kryeministri Kurti nuk ka pranuar të flasë shumë për takimin e 15 qershorit, ku në Bruksel pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Kurti ka thënë se nuk mund të paraqesë asnjë platformë për dialogun, pasi siç tha ai, dialogut të ri ende nuk i dihet agjenda.
“U kërkua që këtu ne të vijmë më platformë për takimin e së martës. Gabim do të ishte. Është gabim. A e dini pse? Sepse në javën e ardhshme nuk do të ketë takim të ri të dialogut të vjetër. Nuk do të jetë një takim i radhës i të njëjtin dialog që na ka sjellë në këtë situatë. Por do të jetë takim për dialogun e ardhshëm. Ky është dallim i madh konceptual”, deklaroi Kurti.
Kurti tha se qeveritë e kaluara që kanë udhëhequr me procesin e dialogut kanë bërë gabime të shumta që kanë vendosur Kosovën në një pozitë të dobët.
“Çfarëdo platforme për dialogun e ri do të ishte gabim para takimit për dialogun. Platforma nuk është hapi i parë. Kur e përpilon platformën e ke pranuar dialogun, dialogut që ende si dihet agjenda. Prandaj ju keni bërë këso gabime dhe na keni sjellë në këtë situatë”, deklaroi kryeministri Kurti.
Hoxhaj kritikon paraqitjen e Kurtit
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kritikoi paraqitjen e kryeministrit Kurti.
Hoxhaj tha se priste që në këtë seancë të diskutonte për dialogun ku kryeministri do t’i bënë publike parimet, qëllimet, temat, afatet kohore.
“Mënyra se si ka folur sot për dialogun, kësaj i thonë sharlatanizëm, papërgjegjësi, sjellje joserioze dhe jodinjitoze. Sinqeritet cinik dhe fraza hipokrite, mjerisht”, deklaroi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se paraqitja e kryeministrit Kurti ia ka bërë të qartë atij se dialogu me Serbinë nuk është i përgatitur politikisht e as në aspektin diplomatik.
LDK: Kurti po shkon në dialog i papërgatitur
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, akuzoi kryeministrin Kurti se po shkon në raundin e ri të bisedimeve i papërgatitur dhe duke shkelur çdo parim e premtim që të kishte dhënë sa ishte në opozitë.
Abdixhiku kritikoi Kurtin, i cili, sipas tij ka ndryshuar aq shumë prej se ka ardhur në pushtet saqë ka harruar faktin se për shumë vite kishte kundërshtuar dialogun pa kushte.
“Ju do të duhej që në këtë kuvend të paraqisni një dokument që së paku i paraqet parimet e kufizimet tuaja në këtë proces të rëndësishëm dhe keni pasur tre muaj ditë kohë. Këtë kohë e keni shfrytëzuar sërish për populizëm duke thënë se dialogu nuk është prioritet, por ja që të martën vizitën e dytë të tuajën jashtë vendit me dy këmbë e duar në tavolinë dialoguese”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku tha se çdo marrëveshje që mund të nënshkruajë qeveria e drejtuar nga Albin Kurti duhet të kalojë nëpër filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Haradinaj do që SHBA-ja të ketë një të dërguar për dialogun
Të papërgjegjshëm e ka cilësuar raportimin e kryeministrit Albin Kurti, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj kërkoi nga qeveria dhe kryeministri Kurti që me çdo kusht të kërkojnë nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, emërimin e një emisari për dialogun Kosovë-Serbi.
“Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentin amerikan (Joe Biden) së bashku me presidenten (Vjosa Osmani), kryetarin e kuvendit (Glauk Konjufca), qoftë edhe me partitë e tjera dhe t’i kërkohet një i ngarkuar special, një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, për njohjen, siç e ka quajtur presidenti Biden, reciproke, më në fund. Ku është problemi pra?”, deklaroi Haradinaj.
Së fundmi ka pasur kërkesa të shumta të deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të dinë më shumë për objektivat e qeverisë nga procesi i dialogut si dhe për faktin se kur parashihet që të ndodhë një marrëveshje finale dhe se çfarë do të përfshijë ajo?
Dialogu pritet të rifillojë të martën më 15 qershor.
Ky takim është konfirmuar nga zyrtarët në Prishtinë, Beograd dhe Bashkim Evropian.
Para këtij takimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të marrin pjesë në këtë takim për të cilin Kurti tha se ‘nuk është vazhdim i dialogut’ të kaluar, duke e quajtur ‘dialog i ardhshëm’.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se raundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën “nuk do të jetë i lehtë”, porse, sipas tij, është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.
Procesi i dialogut ngeci vitin e kaluar kur asokohe, pala serbe rihapi çështjen e zbatimit të Marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në Kosovë është kundërshtuar vazhdimisht formimi i një asociacioni njëetnik, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.
Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk u zbatua asnjëherë pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Malaj ka komentuar vendimin e PS për të mbajtur kongresin e jashtëzakonshëm në stadiumin ‘’Air Albania’’.
Sipas Malajt, një vendim i tillë është i panevojshëm dhe turpërues për socialistët e thjeshtë dhe të ndershëm pasi mitingu brohoritës pas zgjedhjeve nuk e zgjidh lakun e dështimeve për integrimin .
Ai thekson se kongres në stadium nuk kanë mbajtur deri më sot as Erdogan, Orban, Fiden Kastro, Kim Jong Un apo dhe partia komuniste e Kinës me 1.4 miliardë banorë.
Malaj ironizon me thënien e Presidentit të 3-të të SHBA, Thomas Jefferson kur i thoshte të birit se në jetë ka dhe fitore turpëruese.
STATUSI NGA ARBEN MALAJ
Kongres apo miting brohoritës pas zgjedhjeve që nuk e zgjidhën lakun e dështimeve të përsëritura në proçesin dhe perspektivën euro-atlantike.
Janë ftuar vetëm për të dëgjuar dhe duartrokitur me ovacione?
Kongres të jashtëzakonshëm në stadium??
I pa nevojshëm dhe turpëruese për socialistët e thjeshtë dhe të ndershëm.
As Orban, as Erdoğan, por as Fidel Kastro apo Kim Jung, lideri i Koresë së Veriut – nuk kanë mbërritur deri këtu.
Edhe partia komuniste e Kinës qe perfaqeson 1.4 miliarde banore nuk ka bere deri sot kongres partie ne stadiume.
Si ka mundësi që Rilindja që “përfaqëson” një popullsi në tkurrje me më pak se 3 milion banorë, bën kongres të jashtëzakonshëm në stadium?!
Keqardhje për situatën kritike ku ka arritur nënshtrimi i verbër i “përfaqësuesve” të popullit dhe të partisë ndaj disa rilindasve parafabrikatë arrogantë, të babëzitur, të korruptuar dhe të kapur nga oligarkët.
Këta oligarkë po keq-përdorin jo pak deputetë dhe qeveritarë si manekina që i lëvizin sipas interesave të tyre për përfitime abuzive dhe varfëruese për shqiptarët.
Në këtë rast vlen më shumë se kurrë mësimi që presidenti Jefferson i jepte djalit të tij se në jetë ka edhe fitore turpëruese.
Kapja e shtetit e dëmton demokracinë dhe sigurinë si të shqiptarëve, të SHBA dhe BE më shumë se çdo formë tjetër e korrupsionit.
Kjo është sfidë shumë e vështirë por pa e fituar luftën kundër pandërshkueshmërisë paqja e qëndrueshme dhe siguria – jo vetëm në Ballkanin Perëndimor do të jenë risk.