VOAL

VOAL

Drejtori i Klinikës Infektive: Në Kosovë po vdesin të pavaksinuarit

Bekim Bislimi

Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, asnjë person i vaksinuar në Kosovë nuk ka vdekur si pasojë e koronavirusit.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

Vaksinimi i qytetarëve në Kosovë nisi në fund të marsit dhe aktualisht po përdoren dy vaksina për imunizim, ajo e kompanisë AstraZeneca dhe Pfizer/BioNTech.

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovë është esencial për shpëtimin e jetës së tyre dhe institucionet shëndetësore dhe qeveritare kompetente për shëndetësinë, duhet të jetë më agresive në fushatën për vaksinimin e qytetarëve, vlerëson epidemiologu Isuf Dedushaj.

Vishaj: Për 12 ditë, 20 mijë të infektuar

Dita e hënë, më 23 gusht, ishte një prej ditëve me bilancin më tragjik për sa i përket numrit të personave që kanë vdekur nga koronavirusi. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës raportoi për 17 raste të vdekjes për 24 orë, më datën 23 gusht. Në këtë datë, raste të reja të infektimit janë evidentuar 1,067 ndërkaq, numri më i madh i personave të infektuar i takojë moshës prej 20 deri në 50 vjet.

Vetëm me 23 gusht janë evidentuar 16 raste të reja të moshës prej 0 deri në 9 vjeç, ndërkaq, 112 raste të moshave prej 10 deri në 19 vjet.

Në shtatë ditët e fundit në Kosovë janë regjistruar 57 viktima dhe 13.389 raste të reja me COVID-19. Aktualisht numri i përgjithshëm i rasteve pozitive të konfirmuara është 130.376.

Rastet e evidentuara të qytetarëve me COVID-19 , në veçanti në ditët e fundit, janë rritur, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj.

“Për 10 ose 12 ditë janë infektuar rreth 20 mijë qytetarë. Kjo i bie gati një e pesta e atyre që janë infektuar për një vit e gjysmë. Rrjedhimisht është i pritshëm edhe spitalizimi i një numri të madh (të pacientëve). Ne, në datën 10 apo 12 gusht, në të gjithë Prishtinën i kemi pasur diku rreth 25 deri 28 pacientë të hospitalizuar. Sot jemi gati se në përmbushje të kapaciteteve. Është ardhje e përnjëhershme e një numri shumë të madh të pacientëve. Rrjedhimisht, kjo çon edhe në këtë shkallën e tanishme të mortalitet. Këto janë të gjitha të pritshme”, tha Vishaj.

Ai shtoi se ende është herët për të dhënë një përgjigje nëse varianti Delta i koronavirusit është më agresive sesa variantet paraprake, për shkak se sipas tij, duhet të përcillen të gjitha rastet e reja deri në shërimin e tyre.

Dedushaj: Vaksinimi nuk do të lejonte kërdinë e sëmundjes

Por, epidemiologu Isuf Dedushaj, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që varianti Delta është më agresiv, Sipas tij, në tri valët e kaluara të pandemisë, mundësia e shpërndarjes së infektimit nga një person ka qenë te tre persona tjerë, ndërkaq, siç thotë ai, me variantin Delta një person mund të shpërndajë infeksionin deri te tetë persona të tjerë.

“Do të thotë është afërsisht trefish më agresiv, trefish është përhapja më e fuqishme. Ky është një prej faktorëve dominantë që po paraqet komponenti Delta. Kjo është brengosëse. Përfshin moshat më të reja, ku dominon mosha mbi 20 vjeç, pra 20 deri në 40 vjeç dhe për fat. Tash, sikur të ishte vaksinuar popullata, të ishte arritur mbulimi i saj prej 60 deri në 80 për qind, nuk do të kishte shans që sëmundja të bëj kërdi ose të paraqitet në formë të ashpër, agresive ose masive”, tha Dedushaj.

“Asnjë i vaksinuar nuk ka vdekur nga koronavirusi”

Por, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se deri më tash, prej kur ka nisur të shtohet numri i pacientëve, në Klinikën Infektive kanë qenë të shtrirë rreth 140 pacientë të infektuar, prej të cilëve 13 kanë qenë të vaksinuar.

“Asnjë i vaksinuar dhe i shtrirë (në spital) nuk ka përfunduar me fatalitet. Ne tash i kemi dy probleme: problemin e komunitetit të pavaksinuar, i cili është problem madhor, sepse ata te ne paraqesin shumicën dhe problemin tjetër shumë të vogël te komuniteti i njerëzve që janë të vaksinuar. Ata që janë të vaksinuar, prej tyre, një përqindje shumë e vogël, e marrin infeksionin. Por edhe nëse infektohen, deri më tash kemi parë që kalojnë më lehtë, ndonëse edhe te këta mund të paraqitet një formë e moderuar e sëmundjes”, theksoi Vishaj.

Mungesë e një fushate më agresive për vaksinim

Epidemiologu Isuf Dedushaj, vlerëson se numri ende i vogël, sipas tij, i personave të vaksinuar është pasojë e neglizhencës së vetë qytetarëve, por edhe e mungesës së një fushate më agresive nga institucionet e vendit për vaksinim.

Aktualisht, imunizimi i qytetarëve kundër COVID-19 po vazhdon të bëhet në 30 komuna me mbi 300 ekipe të vaksinimit.

Por, sipas Dedushajt, institucionet duhet t’i shumëfishojnë pikat ku mund të bëhet vaksinimi, të krijojë ekipe mobile dhe t’i qasen më fuqishëm vetëdijesimit të qytetarëve për imunizimin e tyre ndaj COVID-19.

“E vetmja mënyrë e parandalimit, për momentin, për këtë vend të varfër, është dhënia e vaksinës. Është fat që Kosova i ka siguruar vaksinat më të mira dhe më efikase. Janë kushtet, ka frigoriferë, ka ekipe. Do të thotë, vaksinat mund të arrijnë në çdo lloj punkti, brenda ditës dhe mund të vaksinojnë. I kemi parë në Perëndim, në makina i vaksinojnë. I ndalin në rrugë njerëzit dhe i vaksinojnë. Vetëm i regjistrojnë dhe ua lëshojnë kartelat e vaksinimit. Së dyti, duhet thënë këtij populli troç, se ai që e dëshiron vdekjen, mos të vaksinohet. Vetëm ata që i kanë humbur më të afërmit, e dinë shkallën e dhimbjes dhe vuajtjes që kanë”, u shpreh Dedushaj.

Deri më 23 gusht, Kosova ka administruar mbi 714 mijë vaksina. Kurse të vaksinuar plotësisht janë mbi 239 mijë persona. Një person konsiderohet i imunizuar plotësisht, 14 ditë pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës.

Shtatëmbëdhjetë viktima nga koronavirusi në Kosovë

Shtatëmëdhjetë viktima nga koronavirusi u konfirmuan të hënën në Kosovë, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Dy nga viktimat janë të moshës 20 deri në 29 vjeç.

Numri më i madh i tyre, përkatësisht pesë, u regjustrua në mesin e personave të moshës 60-69 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha se në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1,067 raste të reja me koronavirus.

Ato rezultuan pas testimit të 7,946 mostrave.

Kjo i bie që 13 për qind e të testuarve dolën pozitivë.

Në 24 orët e fundit, 278 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë mbeten 20,467.
Pacientë me COVID-19 të shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Gjatë ditës, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës njoftoi se në klinikat dhe spitalet në Kosovë janë të shtrirë 929 pacientë – prej tyre 723 të konfirmuar me koronavirus.

Sipas SHSKUK-së, 35 pacientë janë në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 688 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

Serbia ndërton objektin e “Universitetit të Prishtinës në Mitrovicë”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, duke vendosur gurthemelin e ndërtimit të objektit të “Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Serbia ka filluar ndërtimin e objektit të përhershëm të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”.

Investimi në mbi 6 milionë euro do të bëhet nga Qeveria e Serbisë përmes Zyrës për Kosovën, që funksionon në kuadër të saj.

Drejtori i kësaj zyreje Petar Petkoviq, hodhi gurthemelin për ndërtimin e Universitetit të premten (20 gusht) në Mitrovicën Veriore.

“Ky është gurthemel i harmonisë unitetit të popullit tonë në Kosovë, dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Vuçiq”, tha Petkoviq.

Ndërtesa do të ketë 10.575 metra katrorë, me kapacitet për pranimin e deri në 10.000 studentëve ndërsa në kuadër të këtij Universiteti do të funksionojnë: Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Matematikës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik.

Mitrovica e Veriut është komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku autoritetet serbe kanë zhvendosur, siç e quajnë ata, Universitetin e Prishtinës, pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Studimet aty zhvillohen sipas plan-programit të Republikës së Serbisë.

Evakuohen 4 shtetas të Kosovës nga Afganistani

Prishtinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka evakuuar 4 shtetasit e Kosovës me të cilët ka qenë në kontakt të drejtpërdrejt dhe ju është ofruar ndihmë pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga MPJD, “që nga përshkallëzimi i situatës në Afganistan, MPJD-ja ka qenë e angazhuar për të identifikuar dhe ndihmuar shtetasit e Kosovës me qëllim të largimit sa më të shpejt nga Afganistani”.

“MPJD-ja vazhdon ta mbaj të hapur linjën emergjente dhe është në dispozicion t’u ofrojë ndihmë të gjitha rasteve të reja që eventualisht mund të lajmërohen në periudhën në vijim”, përfundon njoftimi i ministrisë.

Pas përshkallëzimit të situatës në Afganistan, të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njoftoi se Kosova ka pranuar kërkesën e SHBA-së për të siguruar strehim të përkohshëm për civilët afganë të cilit kishin punuar me forcat amerikane derisa të përfundojë procedura për largimin e tyre në SHBA.

Autoritetet kosovare ende nuk kanë deklaruar rreth numrit të refugjatëve afganë, ditës kur do të arrijnë dhe lokacionit se ku do të vendosen ata në territorin e Kosovës.

Kosova merr masa të reja kufizuese, mbyll klubet e natës, nuk lejon hyrjen pa vërtetim vaksinimi apo test PCR në lokale, hotele e restorante

KOSOVA

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë paralajmëron se më 20 gusht do të ketë vendime për masa të reja kufizuese.

Përfaqësuesit e Odës njoftojnë se ka qenë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që ia ka njoftuar gjatë një takimi masat e reja.

Sipas Odës, klubet e natës do të mbyllen deri më 1 shtator, pasuar nga një orar kufizues për restorantet e kafenetë që do të punojnë deri në 22:30.

Po ashtu dnuk do të lejohet në asnjë hotel apo restorant hyrja pa certifikatë vaksinim apo testi PCR.

 

NJOFTIMI NGA ODA E HOTELERISË DHE TURIZMIT

Njoftim!

Pas takimit të ministrit të Shëndetësisë z. Vitia dhe përfaqësuesve të OHTK kryetari prof. Dr. Sogojeva si dhe drejtorët e departamenteve z. Muçiqi dhe z. Hoti na u kumtuan masat e reja.

Për fat të keq pas ngritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19, me datë 20.08.2021 do të dalin vendime të tjera kufizuese

Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysfirëve deri 150.

Klubet e natës do të mbyllen deri më datë 01.09.2021.

Të gjithë Restaurantet ditore , kafiteritë etj., do të punojnë deri në orën 22:30.

Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientet në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike.

I lusim të gjithë qytetarët të ruhen  nga kjo gjendje alaramante, t’i respektojnë masat e reja dhe sa më shumë të vaksionohen.

Të infektuarve i’u urojmë shërim të shpejtë!

Kurti: Strehimi i afganëve në Kosovë bëhet në koordinim me SHBA

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën (17 gusht) se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara. Strehimi i afganëve, shtoi Kurti, përveç aspektit human ka edhe dimensionin e aleancës dhe partneritetit me SHBA-në si dhe është një çështje e ndjeshme e sigurisë.

Numri i qytetarëve të Afganistanit të cilët do të strehohen në Kosovë dhe vendi se ku do të qëndrojnë, ende nuk është bërë të ditura. Qeveria, tha Kurti, me çështjen e afganëve edhe duke u marrë tani një muaj dhe janë formuar ekipe.

“Kosova ka SHBA-në aleaten kryesore dhe partneren strategjike të pazëvendësueshme. Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti për gazetarët pas një vizite që i bëri Korporatës Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës të hënën në mbrëmje (16 gusht) ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Kosova i është bashkuar thirrjeve për largimin e sigurt të njerëzve nga Afganistani.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Talibanët kanë deklaruar se Afganistani është në kontrollin e plotë të tyre, pasi ata morën pallatin presidencial më 15 gusht, vetëm pak orë pasi presidenti Ashraf Ghani iku nga vendi. Militantët islamikë nuk hasën në rezistencë derisa rimorën kontrollin, dy dekada pasi u rrëzuan nga forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja. Në aeroportin e Kabulit të hënën kanë shpërthyer skena kaotike, pasi qindra njerëz përpiqeshin të iknin nga vendi.

Kosova u bashkohet thirrjeve për largim të sigurt të njerëzve nga Afganistani

Pamje afër aeroportit ndërkombëtar të Afganistanit më 15 gusht 2021.

RFE/RL

Kosova u është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe dhjetëra shteteve tjera, në thirrjen që të gjitha palët të respektojnë dhe ndërmjetësojnë largimin e sigurt të shtetasve të huaj dhe atyre afganë, që dëshirojnë të largohen nga Afganistani.

Më 15 gusht, luftëtarët talebanë kanë hyrë në kryeqytetin afgan, Kabul dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

“Ata persona që janë në pushtet dhe kanë autoritet në Afganistan, kanë përgjegjësi për mbrojtjen e jetëve dhe pronave të njerëzve, si dhe për rikthim të menjëhershëm të sigurisë dhe rendit civil”, është thënë në deklaratën e përbashkët, të publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Mes tjerash në deklaratë është përmendur se shtetasit afganë dhe ata ndërkombëtarë që duan të largohen nga ky shtet, duhet të lejohen ta bëjnë një gjë të tillë, dhe se rrugët e aeroportet duhet të mbesin të hapura si dhe të ruhet qetësia.

Institucionet në Kosovë janë shprehur të gatshme të strehojnë qytetarët afganë, pas komunikimeve që ata kanë thënë të kenë pasur me autoritetet amerikane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit amerikan Joe Biden, që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo ka deklaruar se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Më 15 gusht, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se që nga mesi i korrikut janë në diskutim me autoritetet amerikane sa i përket strehimit të afganëve që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përgjigje pozitive për strehim të afganëve kanë dhënë edhe autoritetet në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.

Situata në Afganistan ka nisur që të përkeqësohet prej kur trupat ndërkombëtare kanë nisur të largohen nga ky shtet, në maj të këtij viti.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Qeveria e Kosovës: Jemi në komunikim me SHBA-në për strehimin e afganëve

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës e ndriçuar me ngjyrat e flamurit të Shteteve të Bashkuara. Prill, 2020.

Luljeta Krasniqi – Veseli

Që nga mesi i korrikut, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, është në komunikim dhe në bashkëpunim me autoritetet amerikane, sa i përket mundësisë së strehimit të afganëve, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara.

Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, Luan Dalipi shefi i stafit të kryeministrit të Kosovës, tha se “gjithçka do të përmbyllet mirë”.

“Ka shumë punë logjistike e teknike, të sigurisë dhe sociale, që po i trajtojmë me kujdes. SHBA-ja është aleatja jonë kryesore dhe partnerja jonë strategjike”, tha Dalipi.

Agjencia Reuters raportoi më 13 gusht se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan.

Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova duhet vullnetarisht të strehojë afganët që kanë bashkëpunuar me SHBA-në.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Shqipëria konfirmoi të dielën, më 15 gusht, se i përgjigjet pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara për strehimin e afganëve, derisa atyre t’u përfundojë procesi i miratimit të vizave amerikane.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria”.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Shumë afganë që kanë punuar me forcat e huaja kanë frikë nga hakmarrja e militantëve talibanë për shkak të punës së tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shpallur një program të ri i cili u mundëson mijëra afganëve mundësinë të zhvendosen si refugjatë në SHBA.

Mijëra afganë që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.

Tenori me famë botërore Ramë Lahaj Edi Ramës: Po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!

Tenori me famë botërore Ramë Lahaj i drejtohet përmes rrjetit social Edi Ramës si më poshtë vijon:
 Z. Edi Rama po të drejtohem në emnin e të gjithë kosovareve, anulo Goran Bregoviqin!
Ai dhe kangët e tij që ishin himni i çetnikëve serb për të prerë fëmijët, nanat, motrat, vëllezërit e baballarët tanë nuk mund t’ jene në Shqipni për të festuar në festen e birrës.
Zgjidh ke të duash nga artistet me mua në krye, ani pse nuk këndoj në festa birrash,
por po të vij unë dhe gjithë koleget pa asnjë lloj detyrimi,
me festu së bashku me muzikën tone të bukur shqipe.
Po jo me atë që neve na i prenë fëmijët në djep .
Tregohu burrë nji here në jetë e mos na lëndo ma shumë.
Mos na i qit krip plagës.
Unë jam vet artist, e misioni i artistit është me ndjellë paqe përmes artit, por ky rast asht krejt ndryshe dhe ju e dini pse! E sa i përket renditjes se kush erdh i pari e kush i mrami kur Shqipninë e dridhi tërmeti, n’ ketë punë renditja asht krejt e pa ransishme! Shipnija asht bo sofra e shtrati jone at‘here kur çetniket serb me kangët e Goranit na i ka permys e djegë shpiat e baballarëve. Mos i rafte kurrë Shipnisë me u provu në të keq, se t’ madh e t’ vogël aty na ka. T’ paret!
Thuaj jo Bregoviqit z. Kryeministër!
Shipnisë nuk i ka hije me bo dasem me dajre t’ çetnikëve.”

Ndahet nga jeta politologu Ramush Tahiri

Të premten (13 gusht) është ndarë nga jeta politologu kosovar, Ramush Tahiri. Ka qenë nënkryeministër në Qeverinë Bukoshi.

Tahiri një periudhë ka qenë këshilltar i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga e cila ka shërbyer në këtë pozitë nga viti 2011 deri në vitin 2016, si dhe i Nexhat Dacit, derisa ka qenë kryetar i Parlamentit të Kosovës, në vitet 2001-2006.

Ish-presidentja, Atifete Jahjaga, shprehur pikëllimin nga humbja e bashkëpunëtorit të saj.

“Me Ramushin kaluam nëpër batica e zbatica politike gjatë kohës sa isha presidente e Republikës. E çmoja për maturinë e tij dhe besimin e palëkundur se mund të zgjidhen problemet edhe kur ato dukeshin të pazgjidhshme”, ka shkruar Jahjaga në rrjetin social Facebook.

Politologu Tahiri për shumë vite ka qenë pjesë e pjesëmarrës aktiv i jetës publike në Kosovë me diskutime, analiza dhe opinione për aktualitetin politik.

Qeveria ua ndal pensionet e veteranëve të UÇK-së nga Shqipëria

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Shqipëria kanë një muaj që nuk marrin pension për kontributin e tyre në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo për shkak se pensionet u janë ndalur nga Qeveria e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK’së në Tiranë dhe Prishtinë.

Për ndalesën e pensioneve ka reaguar kryetari i Shoqatës së Veteranëve të UÇK’së në Tiranë, Spiro Butka, i cili thotë se ky veprim i Qeverisë Kurti erdhi pa biseduar, konsultuar e as ballafaquar me veteranët e UÇK’së.

“Qeveria Kurti, në një ditë të trazuar në mëndje ligjërisht nga bajraktarizmi karrierist e megalomania e theksuar politike për të qenë dikushi, në të hyrë të muajit qershor 2021, pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që derdhën gjak, ata që u gjymtuan dhe ata që sakrifikuan jetën e familjen për këtë shtet, në ulëset e të cilit janë ulur gabimisht politikanë të pa arsyeshëm, ndalon shpërndarjen e suplimentit për kontributet e luftës, i ashtuquajtur qëllimisht pension, në mënyrë të veçantë për luftëtarët vullnetarë të ardhur nga trungu amë – Shqipëria, me pretekstin se ata bien ndesh me ligjin në Kosovë, ku sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të marrin dy pagesa”, ka thënë Butka.

Ndërsa nga OVL’ja e UÇK’së në Prishtinë, ushtruesi i detyrës së kryetarit, Faton Klinaku, ka konfirmuar se veteranëve të UÇK’së në Tiranë, u janë ndalur pensionet që një muaj.

“Unë e di që një muaj apo dy, që i kanë verifikuar dhe janë arsyetuar me ligj. Për këtë kam dëgjuar edhe unë, por ata e dinë më mirë”, ka thënë Klinaku për Express.

Më poshtë gjeni reagimin e plotë nga Shoqata e veteranëve të UÇK’së në Tiranë:

Ka më se dy muaj që Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurti, në kundërshtim me ligjin aktual të veteranëve dhe premtimet e fushatës zgjedhore, ua ndali pagesën, të emërtuar qëllimisht pension, në fakt është supliment për kontributin në luftë, që merret në të gjithë botën bashkë me pensionin pasi del në pension, si për shembull në Shqipëri ku çdo veteran i Luftës Dytë Botërore që ka dalë në pension, merr suplimentin për kontributin gjatë luftës nacional çlirimtare dhe për më tepër këtij suplimenti i shtohet suplimenti tjetër për ata që morën pjesë vullnetarisht në luftën e Spanjës dhe për partizanët e luftës nacionalçlirimtare që luftuan deri në Vishegrad në Luftën e dytë Botërore.

Mirëpo Qeveria Kurti, në një ditë të trazuar në mëndje ligjërisht nga bajraktarizmi karrierist e megalomania e theksuar politike për të qenë dikushi, në të hyrë të muajit qershor 2021, pa biseduar, konsultuar e ballafaquar me ata që derdhën gjak, ata që u gjymtuan dhe ata që sakrifikuan jetën e familjen për këtë shtet, në ulëset e të cilit janë ulur gabimisht politikanë të pa arsyeshëm, ndalon shpërndarjen e suplimentit për kontributet e luftës, i ashtuquajtur qëllimisht pension, në mënyrë të veçantë për luftëtarët vullnetarë të ardhur nga trungu amë – Shqipëria, me pretekstin se ata bien ndesh me ligjin në Kosovë, ku sipas ligjit, nuk kanë të drejtë të marrin dy pagesa.

Erdhëm në luftë për çlirimin e Kosovës vullnetarisht, sepse e ndjemë të nevojshme, të bashkonim forcat për çlirimin e Kosovës, për t’i treguar botës përparimtare se jeta vëllazërore që përshkon gjakun e çdo shqiptari, është e do të mbetet lufta e përbashkët që kemi bërë gjatë historisë për çlirim kombëtar. Nisur nga kjo ndjenjë e lartë patriotike, u rreshtuam në formacionet UÇK-së, atje ku kish nevojë ajo për ne si luftëtarë e ushtarakë të mirëfilltë karriere. Pas mbarimit të asaj lufte genocidale, një pjesë e vogël u inkuadrua në TMK, ndërsa të tjerë u rikthyen pranë familjeve të tyre.

Shpresojmë se drejtësia në Kosovë si element kryesor pas pushtetit legjislativ, Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shqiptarët e kudo ndodhur, do të na japin të drejtën ligjore, ne luftëtarëve të trungut amë, që sakrifikuan jetën në luftë për çlirimin e trojeve etnike, krahas vëllezërve tonë shqiptarë të Kosovës shqiptare.

‘Respektoni dhimbjen tonë, anuloni koncertin e Bregoviçit’- Familjarët e të zhdukurve letër Bashkisë Korçë

‘Nëse koha gdhend gurin, ajo shkatërron njeriun. Vitet kalojnë, plakja si proces, nuk e shuan dhimbjen dhe kujtimin për ata që mungojnë’, është fjalia e fundit e familjarëve të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, drejtuar Bashkisë së Korçës, si lutje për të anuluar koncertin e këngëtarit serbo-kroat, Goran Bregoviç.

Pjesëmarrja e mundshme e Bregoviçit në Festivalin e Birrës në Korçë ka bërë që Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës të dërgoj ‘lutje’ në Bashkinë e Korçës që të anulohet performanca e tij.

Në letrën e dërguar në Bashki në emër të 20 shoqatave që përfaqësojnë familjet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë janë renditur arsyet se pse duhet të anulohet pjesëmarrja e këtij këngëtari i cili mendohet se nën ritmin e muzikës së tij janë kryer krime lufte në Kosovë.

Përmes kësaj letre ata njëzëri kanë shprehur dhimbjen e tyre karshi kësaj situate e që i lëndon më së shumti kategorinë më të goditur nga lufta e fundit në Kosovës, familjarët e 1632 të zhdukurve. ‘E kaluara jonë ndonëse nuk është e largët, ajo vazhdon të jetë shumë e rëndë për ne.

Dhunimi në kohë terrori është më i lehtë i pranueshëm, sesa kur ndodhë në kohë lirie. Sot, familjet e personave të zhdukur, dhunohen në baza ditore, përkitazi me humbjen e cila iu është shkaktuar. Andaj ju lutemi të mos na lëndoni më shumë këto familje dhe iu kërkojmë të anuloni pjesëmarrjen e Goran Bregoviçit dhe çdo këngëtari e artisti serb, që frymëzoi kryerjen e krimeve mbi popullatën shqiptare’ shkruan në letrën e Këshillit.

Sipas tyre, pjesëmarrja e Bregoviçit do t’i lëndoj tejmase dhe do ia rikthej dhimbjen e tyre për këto 22 vite palufte. ‘E dimë që arti është përtej kufijve por e tillë duhet të jetë edhe dhimbja jonë dhe nëse nuk mund t’i bashkëngjitni kauzës sonë për të ditur të vërtetën për fatin dhe vend ndodhjen e më të dashurve tanë si një e drejtë elementare, të paktën respektoni dhimbjen tonë’ shkruan në letër.

Pjesëmarrja e Bregoviçit ka trazuar ujërat në Kosovë dhe Shqipëri javëve të fundit. Festa e Birrës, këtë vit do të organizohet tek Terminali i ri i Autobusëve, në hyrje të qytetit të Korçës nga 18 deri më 22 gusht.

 

Institutit Demokratik të Kosovës: Mospjesëmarrja e opozitës në votime ka paralizuar Kuvendin

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka punuar me ritme të ngadalta gjatë sesionit të pranverës, por me performancë më të mirë monitoruese, sipas një raporti të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili monitoron rregullisht punën e Kuvendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Hulumtuesja e KDI-së, Agnesa Haxhiu, tha në një konferencë shtypi se Kuvendi kishte rritje të lehtë të numrit të seancave plenare dhe mbajti 23 seanca, përfshirë një konstituive, nga të cilat 16 ishin të rregullta, 4 të jashtëzakonshme dhe 3 ceremoniale.

Duke prezantuar raportin, Haxhiu deklaroi se Qeveria e Kosovës nuk arriti të përmbushë planin e saj legjislativ dhe se vonesa ndikoi drejtpërdrejt në dinamikën e punës së Kuvendit.

“Ky sesion është karakterizuar me numër të ulët të ligjeve të miratuara, vetëm shtatë sosh në krahasim me dhjetë ligjet e miratuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në bazë të agjendës legjislative të Kuvendit, janë proceduar deri në përfundim të sesionit 29 projektligje, prej të cilave shtatë janë miratuar, ndërsa 22 të tjera janë në procedurë të shqyrtimit nga komisionet parlamentare”, tha Haxhiu.

Raporti thekson se, megjithëse kjo përbërje e Kuvendit ka një shumicë të konsoliduar, mungesa e koordinimit është ende e pranishme. Mospjesëmarrja e opozitës në votim ka çuar në sfidën kryesore të Kuvendit, dhe kjo është dështimi për të votuar për ato pika që kërkojnë shumicën e dy të tretave të votave, siç është ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Në mungesë të votave të mjaftueshme, dy marrëveshje ndërkombëtare kanë arritur të miratohen vetëm pas tentativës së tretë prej momentit kur janë prezantuar para deputetëve, ndërsa dy të tjera kanë mbetur në procedurë të votimit në seancë, pasi për to nuk është arritur konsensusi i nevojshëm mes grupeve parlamentare, konkretisht mes shumicës parlamentare dhe opozitës”, deklaroi Haxhiu.

Raporti i KDI-së thotë se karakteristikë e Kuvendit gjatë sesionit të pranverës ishte shkarkimi i bordeve drejtuese ose individëve nga bordet, gjë që shkaktoi mosmarrëveshje mes shumicës dhe opozitës. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, bordet drejtues të katër institucioneve të pavarura janë zëvendësuar.

Problemi që ka shoqëruar seancën pranverore ka qenë mungesa e deputetëve në seanca, si në të kaluarën, dhe të dhënat tregojnë se deri në fund të korrikut, deputetët kanë munguar 414 herë.

KDI rekomandoi që shumica të sigurojë mbështetjen e opozitës për miratimin e ligjit, të sigurojë transparencë në zgjedhjen e bordeve të reja drejtuese, të sigurojë debat më të gjerë publik në miratimin e ligjeve dhe të rregullojë mungesën e deputetëve me gjoba.

Sesioni i fundit pranveror u mbajt të enjten dhe deputetët shkuan në pushime verore deri në fillim të shtatorit.

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës u konstituua më 22 mars 2021, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, në të cilat Lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit fitoi shumicën. Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë.

Kosova kërkon dëshmi të vaksinimit nga 20 gushti

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka miratuar të enjten masat e reja për luftim të pandemisë së koronavirusit.

Në mesin e masave është përfshirë edhe dëshmia për vaksinim kundër këtij virusi për të hyrë në klube të natës, diskoteka, dasma dhe ahengje tjera familjare me mbi 100 persona, nga data 20 gusht deri më 10 shtator.

Në mungesë të dëshmisë për vaksinim, duhet të prezantohet testi negativ në koronavirus, jo më i vjetër se 72 orë, testi antigjen jo më i vjetër se 48 orë, ose dëshmia për tejkalim të koronavirusit brenda 180 ditëve.

Dëshminë për vaksinim duhet ta kenë edhe personat që punojnë në këto biznese dhe kanë kontakt me njerëz.

Bizneset do të detyrohen që të angazhojnë dikë që të kontrollojë dokumentet e kërkuara për të fituar qasje nëpër organizime.

Personat nën moshën 18-vjeçare nuk janë të detyruar të prezantojnë këtë dëshmi, përveç rasteve kur hyjnë në klube të natës.

Bartja e maskës është bërë e obligueshme, përveç rasteve kur një person ec vetëm në ambient të jashtëm, gjatë ngasjes së automjetit, vetëm, apo në grup me jo më shumë se katër persona, apo gjatë ushtrimeve fizike.

Shërbimet e gastronomisë do të mund të punojnë me 50 për qind të kapacitetit në ambientet e mbyllura dhe 70 për qind të kapacitetit në ambientet e hapura.

Pesëdhjetë infermierë do të ndihmojnë në rritje të kapaciteteve për vaksinim

Gjatë mbledhjes së Qeverisë është miratuar edhe kërkesa për ndarje të 80 mijë eurove për angazhim të 50 infermierëve, me qëllim të shtimit të kapaciteteve për imunizim të qytetarëve kundër COVID-19.

Kosova është ndër vendet me shkallën më të ulët në vaksinimit në rajon, ani pse autoritetet kanë thënë se ka vaksina të mjaftueshme për të gjithë të rriturit.

Qytetarët e Kosovës mund të zgjedhin mes vaksinave të prodhuesve Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca për t’u imunizuar kundër COVID-19.

Ministri i Shëndetësisë ka thënë të enjten se në dy ditët e fundit është rritur interesimi për vaksinim, duke përmendur se të mërkurën janë vaksinuar rreth 18 mijë persona, ndërkaq të enjten rreth 19 mijë.

Ai ka theksuar se interesimi më i madh për vaksinim është vërejtur në Prishtinë.

Ramadani: Ende nuk është arritur imuniteti kolektiv

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, ka thënë në një konferencë për media me ministrin Vitia se pas analizave që janë bërë nga shpërthimi i pandemisë, është vërtetuar se ende nuk është arritur imuniteti kolektiv në Kosovë kundër koronavirusit.

“Rezultatet tregojnë se vetëm 38.8 përqind e popullatës e kanë kaluar koronavirusin, që do të thotë se rezultatet tregojnë qartë se akoma s’është arritur imuniteti kolektiv i kënqashëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga COVID-19”.

Ai ka bërë thirrje për vaksinim, duke thënë se imunizimi është zgjidhja e vetme për mposhtje të pandemisë.

Sipas tij, pjesa më e madhe të infektuarve aktualisht është nën moshën 50-vjeçare.

Ramadani ka thënë se autoritetet janë duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të fëmijëve nga mosha 12-vjeçare.

“Fuqishëm rekomandojmë vaksinimin e personave mbi 18 vjeç. Tashmë Komiteti për Imunizim në Ministrinë e Shëndetësisë është duke shqyrtuar mundësinë e vaksinimit të moshave 12 deri në 15 vjeç me prioritet, sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ramadani.

Shifrat ditore të të infektuarve

Autoritetet shëndetësore në Kosovë janë duke regjistruar rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus në javën e fundit.

Vetëm të enjten janë regjistruar dy viktima me koronavirus.

Viktimat janë nga Suhareka dhe Vitia.

Në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,009 raste të infektimit, pas testimit të 6,784 mostrave.

Pjesa më e madhe e të infektuarve janë të moshave nga 20 deri në 29 vjeç, përkatësisht, 269 persona.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 gusht janë shëruar 82 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 4,414.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 112,653 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,276 kanë vdekur.

Kosovë, 1 009 të prekur nga COVID-19

VOA

Të enjten në Kosovë u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga COVID-19, gjatë këtij viti.

Autoritetet shëndetësore konfirmuan se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa janë regjistruar 1 mijë e 9 raste të reja të të prekurve nga COVID-19, në 24 orët e fundit.

Shkalla e më e lartë infektimeve është regjistruar tek personat nën 30 vjeç.

Në 12 ditët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 4 mijë e 285 raste të reja të të prekurve nga COVID-19 dhe 10 të vdekur nga pasojat e tij.

Mikrobiologu, Lul Raka, në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se institucionet duhet të marrin masa siç janë rritja e kontrolleve për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të virusit.

Ky inspektim dhe kjo mbikëqyrje duhet të fuqizohet po ashtu në vazhdën e zbatimin e mbajtjes së maskës sepse mbajtja e maskës është ende në fuqi mirëpo nuk po zbatohet sidomos në objekte të mbyllura publike dhe në transportin publik. Këto janë disa nga pikat kryesore, e pastaj masa tjera kufizuese duhet të fokusohen kryesisht te personat e pavaksinuar sepse kjo valë jo vetëm në Kosovë por edhe krejt botën është kryesisht valë e të pa vaksinuarve, pjesa më e madhe që preken janë të pavaksinuar.”, tha ai

Zoti Raka tha se në valën e re të infektimeve po preken moshat e reja e që sipas tij është një element pozitiv.

Pjesa më e madhe të rasteve të identifikuara gati 50 për qind janë nën moshën 30 vjeçare do të thotë janë të rinj dhe pjesa më e madhe e tyre e përballojnë shumë më lehtë se sa popullata e shtyrë në moshë kjo ndoshta do të ndikoj drejtpërdrejt edhe në dinamikën e hospitalizimeve mirëpo kjo mbetet të shihet në ditët në vijim. Ne prej fillimit kemi apeluar që të intensifikohet vaksinimi sepse me një numër më të madh të vaksinuarve shumë më lehtë do ta kishim menaxhuar por ditëve në vijim do të shohim a do të kemi rritje të hospitalizimeve dhe vdekjeve që është faktori kryesor që determinon masat parandaluese edhe rritja eventuale sigurisht që konform rritjes së tillë do të ketë masa kufizuese”, th ai.

Qeveria e Kosovës paralajmëroi masa kufizuese për të parandaluar rritjen e infektimeve dhe për të nxitur vaksinimin në masë. Deri sot 183 mijë persona janë vaksinuar me dy doza.

Konstituohet Komisioni i Përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë

Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se zbatimi i deritanishëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) ka qenë i ngadalshëm dhe duhet të përshpejtohet, raporton Anadolu Agency (AA).

Konjufca realizoi takim konstituiv të Komisionin e Përbashkët Parlamentar BE-Kosovë të Stabilizim-Asociimit (KPSA).

Ai theksoi se qëndrimi i përbashkët i të gjithëve në Kosovë është që vendi duhet të bëhet anëtar i plotë i BE-së, duke shtuar se procesi i integrimit evropian bashkon të gjithë shoqërinë kosovare.

“Siç dihet, Kosova ka hyrë në fazën e mesme të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por mund të konkludojmë se zbatimi i deritanishëm ka qenë shumë i ngadalshëm dhe kemi nevojë për një përshpejtim krejtësisht të ri”, tha Konjufca.

Ai kujtoi se Kosova ka një Plan Kombëtar të Zbatimit të MSA-së, ndërsa dje Qeveria e Kosovës miratoi planin e zbatimit të Agjendës Evropiane të Reformave, ERA 2, i cili do t’i përcillet Kuvendit për miratim. Gjithashtu, Kuvendi i Kosovës po zbaton një plan për të monitoruar procesin e integrimit për periudhën 2020-2021.

Kryetarja e KPSA-së, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se takimi i parë me delegacionin e Parlamentit Evropian do të mbahet në nëntor në Prishtinë.

Kusari-Lila tha se ky proces paraqet vazhdimësinë e bashkëpunimit me BE-në, i cili sipas saj kërkon ndryshime, shtesa dhe përmirësime.

“Janë të nevojshme edhe korrigjime në proces si brenda vendit ashtu edhe në BE, si dhe ajo që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, trajtim të barabartë, elementi që ka ngecur për një kohë të gjatë që ndan vetëm qytetarët tanë dhe që është liberalizimi i vizave, por edhe përmes reformave në të cilat do të angazhohemi së bashku me institucionet e BE -së”, tha ajo.

Deputetët e partive opozitare kanë kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje në pushtet për formimin e komisionit me vonesë të madhe, duke pasur parasysh rëndësinë e integrimit evropian për Kosovën.

Komisioni i fundit përbëhej nga 13 deputetë nga të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe anëtarë të Parlamentit Evropian, nga i gjithë spektri politik.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Kosovës hyri në fuqi në prill të vitit 2016 dhe është marrëdhënia e parë kontraktuale e Kosovës me BE-në.

Haradinaj tregon përplasjet me Ramën në prani të Merkelit: Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im! Do na dërgonte në luftëra të reja!

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur sot mbi përplasjet që ka pasur me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, një ditë pas reagimit të këtij të fundit.

Kreu i AAK-së në një intervistë për RTK-në tha se në Berlin nuk i mbrojti territoret e Kosovës as nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe as nga presidenti francez, Emmanuel Macron, por nga vëllai i tij shqiptar.

“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës për hapjen e kufijve të Kosovës, sigurisht që mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im Edi Rama”, tha Haradinaj.

Më herët, kreu i AAK-së konfirmoi bisedën me tone të ashpra që pati me Ramën, sikundër deklaroi dje edhe kreu i ekzekutivit shqiptar.

Ramush Haradinaj deklaron se e mbështet nismën për Ballkan të Hapur vetëm pasi Serbia të njohë Kosovës. Haradinaj thotë se ai i ka kërkuar Ramës dhe liderëve të rajonit që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit dhe jo ndaj Kosovës.

Kosovë: Strategjia për Sundimin e Ligjit 2021-2026

Edlira Bllaca

Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, me të cilën synohet, siç u tha, fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, i drejtësisë penale, qasjes në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se miratimi i kësaj strategjie është në vazhdën e përpjekjeve të qeverisë për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

“Këtë e kemi mendoj problemin më të madh në Republikën e Kosovës, pra humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë dhe në këtë drejtim secili veprim në kuadër të ministrisë së Drejtësisë, por edhe qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë kthimi besimit të qytetarëve përmes veprimeve që i kemi ndërmarrë”, tha ajo.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se besimi i qytetarëve në drejtësi aktualisht është në shkallë shumë të ultë, rreth 15 për qind.

Rrjedhimisht, tha ai, miratimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë qeveria deri tash.

“Është një strategji në të cilën është punuar jashtëzakonisht shumë në katër – pesë vjetët e fundit, janë investuar me dhjetëra miliona euro nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo strategji për herë të parë pas viteve ‘99 e bën një vlerësim të qartë të gjendjes aktuale në sistemin e drejtësisë në Kosovë në të gjitha fushat”, tha ai.

Nëse kjo strategji zbatohet me vullnet politik e bashkërendim ndërinstitucional, thotë zoti Miftaraj, përmirësimi i sundimit të ligjit në Kosovë do të jetë i prekshëm në pesë vitet e ardhshme.

“Të lihen anash interesat personale. Nëse vazhdojmë me të vjetrën dhe kjo strategji zbatohet vetëm në pikat ku nuk preket interesi i gjyqtarëve, prokurorëve, policisë, agjencisë kundër korrupsion apo i politikës, kjo do të mbetet vetëm një strategji në letër e cila pas disa viteve mund të diskutohet se përse nuk është zbatuar”, tha zoti Miftaraj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike i tha Zërit të Amerikës se ndër pikat më të rëndësishme të strategjisë janë procesi i vetingut dhe lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

“Ajo për të cilën ne ndër vite kemi bërë thirrje është që procesi i vetingut të jetë i thellë, në kuptimin e asaj që i njëjti duhet të adresojë problemet shumëvjeçare të sektorit, duke u thelluar në verifikimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të tjerë. Verifikimi të përfshijë disa aspekte të cilat edhe me integritetin e këtyre pjesëtarëve e njëkohësisht vetëm ata që e kalojnë këtë verifikim të mbesin pjesë e sistemit dhe të rinjtë që vijnë nesër të futen pasi që e kalojnë një verifikim të tillë”, tha ajo.

Zonja Hoxha thotë se zbatimi i kësaj strategjie dhe në përgjithësi përmirësimi i sundimit të ligjit, luan rol thelbësor në rritjen e mirëqenies së qytetarëve si dhe në proceset integruese të Kosovës.

“Prandaj sistemi i drejtësisë në momentin që përballet me një reformë siç është vetingu, nëse kjo reformë adreson problemet kryesore që është mungesa e profesionalizmit dhe prania e korrupsionit e nepotizmit në sistem, atëherë vetëm në atë formë mund të themi që kemi pasur përmirësim në këtë sektor, përmirësim të dukshëm e të matshëm, i cili do të mund të reflektonte në përmirësimin e jetës së qytetarëve si dhe pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha zonja Hoxha.

Që nga përfundimi i luftës, sistemi i drejtësisë në vend ka mbetur një nga fushat më të kritikuara për shkak të problemeve me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është edhe ndër kriteret kryesore për përfshirjen e Kosovës në proceset integruese evropiane, krahas hapave tjerë për sigurimin e qëndrueshmërisë politike në vend.

Ish-ministri zbulon bisedën me fjalë të ndyta te zyra e Merkelit mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt

Ish-ministri i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Selim Selimi, i është kundërpërgjigjur Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Ramush Haradinaj, derisa ishte Kryeministër, ia humbi Kosovës mundësinë për liberalizimin e vizave, raporton Express

Rama ndonëse nuk përmendi Haradinajn me emër, por iu referua si ‘lider kosovar’, Rama tha se ai në prezencë të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit frances Emmanuel Macron, tha se “mu nuk më han luli për kta”.

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka shkruar në Facebook versionin e tij të këtij takimi.

“Një bisedë në hollin e pritjes në Bundeskanzleramt (Zyren e Kancelares) ku isha prezent: Lideri X: Po hiqe at dreq takse. Është koha të rregulloni marrëdhëniet me Serbi. Lideri Y: Nuk asht veç pun’ takse. Para dy ditëve kesh në Mejë e ju kom borxh qatyne të rënëve me ju mbrojt gjakun e dinjitetin. Lideri X: Ka përfunduar ajo kohë duhet të heqësh taksën e të arrish marrëveshje: Lideri Y: Ti kqyri punt e tua se as lu*i sme han për ty”, ka shkruar Selimi.

Ndryshe, kryeministri shqiptar sot në një status të gjatë në Facebook, ka reaguar i acaruar me sulmet nga Kosova.

Kusari-Lila: ‘Ballkani i Hapur’ është nismë e dëmshme, të gjitha partitë në Kosovë janë kundër

Shefja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

RFE/RL

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkans), pasi sipas saj kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative.

“Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkans’”, tha Kusari-Lila të hënën në Prishtinë, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Në këtë nismë, që është thënë se do të kontribuojë në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Kusari-Lila tha se kjo nismë s’mund ta ketë një emërtim të tillë, pasi kundërshtohet nga tri vende të Ballkanit Perëndimor.

“Konsiderojmë që shumë më shumë fokus duhet t’i jepet pengesave të deritashme që janë bërë sesa iluzioneve se mund të ndryshojë i njëjti shtet në raport me ne ose në raport me shtetet e tjera në Ballkan. Nuk jemi i vetmi shtet që refuzon ‘Open Balkans’. Prandaj, nuk mund të quhet si i tillë derisa tri nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e kundërshtojnë iniciativën”, tha Kusari-Lila.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Më 29 korrik 2021, kur iu ndryshua emri kësaj nisme, në një forum ekonomik të mbajtur në Shkup, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ishte zotuar se do të bëhej pjesë e “mini-Shengenit”.

Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë – që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik – deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga Albin Kurti, që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

Mehaj: Ushtria amerikane garantuese kryesore e sigurisë në Kosovë

RFE/RL

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se ushtria amerikane ishte dhe është garantuese kryesore e sigurisë së Kosovës.

“Gjithçka që është ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes, sigurisë në vendin tonë në përgjithësi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë se Kosovës, (FSK) në veçanti, i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”, ka thënë Mehaj gjatë një vizite që i bëri bazës ushtarake amerikane, “Bondsteel” në Kosovë, më 8 gusht.

Ushtarët amerikanë janë të angazhuar në kuadër të misionit paqëruajtës të NATO-s-, KFOR, në Kosovë.

Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës së SHBA-së, u nisën në mision paqëruajtës në Kuvajt, që është misioni i parë jashtë vendit i kësaj force.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e FSK-së. Kësaj force është thënë se do t’i nevojitet një periudhë kohore prej dhjetë vjetësh për t’u transformuar në ushtri me kapacitete të plota.

Qeveria e Kosovës është zotuar që në vitin 2022 do të ndajë mbi 100 milionë euro për FSK-në.

Kuvendi nuk e miraton rezolutën për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

RFE/RL

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë.

Për rezolutën e propozuar nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës votuan 24 deputetë, ndërkaq 57 abstenuan. Ishin deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ata që abstenuan për miratimin e kësaj rezolute, ndërkaq në sallë ishin 83 deputetë.

Rezoluta ftonte Qeverinë e Kosovës të zbatonte këtë marrëveshje dhe të përgatiste një plan-veprim që do t’i dorëzohej kuvendit. Debati për këtë rezolutë ishte zhvilluar më 7 korrik.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar që presin nga Kosova dhe Serbia t’iu përmbahen detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Uashingtonit.

Përndryshe, rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Marrëveshja e Uashingtonit për normalizimin e raporteve ekonomike ndër të tjera, parasheh angazhimin e Kosovës dhe Serbisë në ndërtimin e lidhjeve rrugore dhe hekurudhore, për të lidhur kryeqytetet e tyre në mënyrë që të përmirësojnë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, zhvillime këto që mund të tërheqin investime perëndimore.

Sipas marrëveshjes, Kosova zotohet të bëhet pjesë e nismës së “mini-Shengenit” apo siç njihet tani me termin “Ballkani i Hapur” që parasheh lëvizjen pa pasaporta dhe detyrime tarifore në vendet e Ballkanit. Në këtë nismë bëjnë pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Këtë inciativë është shprehur kundër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

I doli audio-skandali, shkarkohet drejtor i Inteligjencës Financiare në Kosovë

Dardan Nuhiu, drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare, është shkarkuar sot pas audio-incizimeve të publikuara në media, në të cilat ai shfaqej duke treguar se si i ndikon personat e caktuar nëpër institucione dhe gjithashtu e ka në plan kapjen e sistemit medial në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Pas shqyrtimit të audioincizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka shkruar ai në Facebook.

Në audio-incizimet, Nuhiu tregonte për forcën që ka te bizneset dhe politika dhe për skemën që ka përgatitur se si t’i marrë nën kontroll të gjitha.

Ndër të tjera ai, në një bisedë dëgjohet të thotë se për 2-3 vjet do të marrë nën kontroll disa media të forta dhe se do të realizojë planin e tij.

Nuhiu mban këtë post nga viti 2011.

Sopranoja me famë botërore Inva Mula përshëndet themelimin e Operas të Kosovës: Bravo Kosovë per vendimin historik !

Një lajm tjetër i mirë që na vjen nga Kosova, të cilin e përshëndet menjëherë Sopranoja e famshme shqiptare Inva Mula. Është fjala për themelimin e Operas të Kosovës. Artistja e famshme ka një sensibilitet të veçantë për Kosovës pasi Artisti i shquar, Nderi i Kombit, Avni Mula, i jati i saj është me origjinë nga Gjakova!

Inva Mula ka reaguar menjëherë në rrjetin social, duke përshëndetur në mënyrë shumë të veçantë, duke falenderuar, sepse pa art dhe kulturë nuk ka komb:

“Themelimi i Operes se Kosovës eshtë lajmi me i bukur i këtyre momenteve qe po kalon bota !

Sot me shumë se kurrë kemi nevojë per ART !

Bravo Kosovë per vendimin historik !

FALEMINDERIT”

Përhapen zjarret në Kosovë

Misioni i KFOR-it po ndihmon autoritetet e Kosovës në shuarjen e zjarreve, veçmas në Rugovë të Pejës.

Arton Konushevci

Në disa rajone të Kosovës, pjesët malore janë përfshirë nga zjarret, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjencave, Nehat Koqinaj. Ai tha se zjarret po nisini nga fushat dhe ato po arrijnë deri te malet.

“Zjarre ka në rajonin e Prizrenit, Pejës, rajonin e Gjilanit, të Mitrovicës. Nuk e di saktë se cili rajon deri tash ka mbetur pa u prekur, veç rajonit të Prishtinës”, tha Koqinajt, duke shtuar se gjendja po shkon duke u rënduar.

“Temperaturat e larta janë duke i rritur dhe përshpejtuar zjarret, por faktori njeri është shkaktari”, tha Koqinaj.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se vatra e cila për momentin është më serioze, është në fshatin Shtupeq të Pejës.

“Në të gjitha vatrat e zjarrit janë të angazhuara me kapacitet të plotë të gjitha institucionet përgjegjëse, të cilat po koordinohen nga Qendra Operative e MPB-së”, thuhet në një komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Koqinaj tha se në terren kanë dalë shumë ekipe që po punojnë për të shuar zjarret.

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të jetë e angazhuar me personel dhe pajisje në shuarjen e zjarreve.

Po ashtu, me helikopterë, misioni i KFOR -it është i angazhuar në shuarjen e zjarreve në zonë e Rugovës, në Komunën e Pejës.

“Helikopterët e KFOR-it po angazhohen në shuarjen e zjarreve të mëdha, që kanë shpërthyer në zonën e Rugovës, në perëndim të Kosovës. Institucionet e Kosovës, kanë kërkuar ndihmën e KFOR-it për të ndihmuar zjarrfikësit lokalë për të bllokuar zjarret që kanë shpërthyer, veçanërisht në zonat e paarritshme nga autoritetet kosovare”, thuhet në njoftimin e misionit të KFOR-it.

Në njoftim, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjenerali Günter Schöpf, citohet të këtë thënë se “pas vlerësimit të ndikimit të intervenimit të misionit, por gjithashtu edhe mundësisë së përhapjes së zjarrit, vendosi që të kryejë misionin përmes dy helikopterëve e Komandës së KFOR-it për Lindjen, që mund të mbledhin ujë dhe ta hedhin atë drejt në fjalë, kanë ofruar intervenim të menjëhershëm”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ftuar qytetarët të kenë kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.

Kjo ministri ka thënë se në kohën kur vendi po ballafaqohet me temperatura të larta, për fat të keq po shfaqet edhe një dukuri shqetësuese, me rrezikimin e jetës së njerëzve, pasoja ekonomike e dëme të mjedisit.

“Është fjala për paraqitjen e zjarreve, që po shfaqen gjithandej në Kosovë, nga të cilat janë duke u dëmtuar pyjet, tokat pyjore, por edhe sipërfaqe tjera rurale e urbane”, thuhet në njoftim.

Vendësit dhe turistët ikin nga zjarret masive në Turqi
Fotogaleri

Vendësit dhe turistët ikin nga zjarret masive në Turqi

Numri i viktimave nga zjarret e egra në Turqi ka arritur në tetë, gjatë fundjavës, ndërsa në zonat e prekura po vazhdon evakuimi i mijëra personave, përfshirë turistë të frikësuar nëpër hotele. Plot 105 zjarre janë regjistruar në 35 vendbanime në Turqi, që nga e mërkura, teksa flakët e shtatë prej zjarreve po vazhdojnë – shumica jo shumë larg vendpushimeve në qytetet jugore të Antalias dhe Marmarisit. (Përgatiti: Trim Haliti)

Ministria e Bujqësisë ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve dhe mobilizim në shuarjen e tyre.

Pyjet përbëjnë rreth 44.7 për qind të territorit të Republikës së Kosovës.

Zjarret në pyje, përveç masës drunore, rrezikojnë edhe florën dhe faunën e egër.

Rriten kërkesat për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit në Kosovë

Prishtinë

Sipas një analize nga organizata joqeveritare Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), gjatë këtij viti, krahasuar me vitin 2020, është rritur numri i ankesave dhe kërkesave për fillimin e procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto dhe të gjetura të tjera u publikuan në një konferencë për media të premten në Prishtinë me temë “Mekanizmi disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve: Një reflektim mbi gjendjen aktuale” nga Drejtësia Sot, platformë e GLPS-së.

Rreze Hoxha-Zhuja nga Drejtësia Sot, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka aprovuar të gjitha kërkesat për fillim të procedurës disiplinore ndaj prokurorëve të shtetit, për periudhën janar-qershor 2021, e më pas për të njëjtat ka krijuar Panele Hetimore, gjë të cilën ajo e konsideroi hap pozitiv.

“KPK mban një praktikë shumë të mirë të publikimit të vendimeve të marra nga Gjykata Supreme ndaj vendimeve disiplinore të ankimuara të KPK-së, duke ofruar kështu një pasqyrë të plotë dhe të qasshme për publikun. Një praktikë e tillë nuk është vërejtur nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku vendimet e marra nga Gjykata Supreme nuk janë të publikuara”, tha Hoxha-Zhuja.

Drejtësia Sot gjithashtu ka gjetur se ka zbrazëti juridike në Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pasi siç tha Hoxha-Zhuja, ligji nuk parasheh dispozitë lidhur me ankesat kundrejt gjyqtarëve të Gjykatës Supreme që i drejtohen Kryetarit të Gjykatës Supreme.

Hoxha-Zhuja e vlerëson pozitive çështjen e inicimit dhe ankimit në procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit, pavarësisht që ligji që e rregullon veprimtarinë e këtij institucioni nuk ja njeh një kompetencë të tillë.

“Ligji aktual nuk ka përcaktuar qartë llojin e masës disiplinore që shqiptohet për secilën shkelje disiplinore ose në rastin e arritjes së marrëveshjes për pranimin e shkeljes disiplinore”, shtoi Hoxha-Zhuja.

Drejtësia Sot, duke u nisur nga të gjeturat e analizës ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë që të bëjë ndryshim të ligjit për Avokatin e Popullit, në mënyrë që ky institucion të inkuadrohet edhe në kompetencat e Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor për “fillimin e procedurave disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe kompetencën për të ushtruar ankesë në Gjykata Supreme për raste individuale”.

Gjithashtu, Drejtësia Sot, konsideron se Ministria e Drejtësisë duhet të përcaktojë autoritetin kompetent tek i cili duhet paraqitur ankesat ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.

Trajneri Driton Kuka me tre medalje olimpike i takon elitës botërore të xhudos

voal.ch – Driton Kuka, trajneri i Xhudos ka lindur në Peje me 15 shtator 1971.

Pas shpalljes të pavarësisë të Kosovës është trajneri me i suksesshëm në sportin kosovar.

Në klubin e xhudos Ippon nga Peja ka krijuar Kampionen Botërore për juniore Majlinda Kelmendin si dhe një numër te madh xhudistesh që tashmë kane prekur majat botërore në sportin Olimpik te judos.

Driton Kuka tashmë i takon elitës botërore të xhudos. Ai e ka shndërruar Kosovën në forcë botërore të sportit të xhudos.

Nxënësit e Kukës kanë tituj botërorë, evropianë dhe olimpike.

Një ndër xhudistet më të mira të karierës së tij është : Majlinda Kelmendi , i ka dy tituj të botës e një të Evropës për seniorë,

Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane, Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane, Nora Gjakova ka fituar medaljen e vetme të Kosovës në Lojërat Evropiane dhe sot më 26 Korrik Nora Gjakova fitoi medaljen e tretë olimpike në Olimpiadën botërore Tokio 2020 që po mbahet në Japoni, pas medaljes të artë olimpike të, Distria Krasniqi, të treja sportiste të trajnuara nga Driton Kuka.

Pra, Majlinda Kelmendi, Medalie e Artë Olimpike, Distria Krasniqi Medalje e Artë Olimpike dhe Nora Gjakova Medalje e Artë  Olimpike, pra tre medalje të arta olimpike të Kosovës janë sportiste të trajnuara nga Driton Kuka!

Driton Kuka ka qenë kampion i 8 fishtë në te gjitha Grupmoshat i ish Jugosllavisë, Kampion Ballkanik, medalje e bronztë për të rinj në Evrope dhe medalje e bronzte në Kupa Botërore për te rritur në Hungari me 1991 dhe atëbotë siguroj normën Olimpike për Olimpiadën Barcelona 1992 por për shkak te politikes se Millosheviqit në Kosove u tërhoq nga reprezentacioni i ish Jugosllavisë dhe kështu u desh te mbes pa pjesëmarrje në evenimente te mëdha ndërkombëtare. Pas dështimit te marrjes se nje medalje olimpike në Lodra 2012 Driton Kuka nuk ndalet asnjë moment ai tani bëhet gati per lojërat olimpike Rio2016 ku edhe kishin siguruar normën olimpike Malinda Kelmendi dhe Nora Gjakova tani Driton Kuka ishte gati per te shkruar historinë e sportit kosovar me te nisur garat Majlinda dukej e pa ndalshme duke hedhur kundershtaret pa asnjë problem me të arritur ne finale ajo tashme kishte shkruar historine por qe nuk ishte e kenaqur me medalje te argjentë keshtë që në finale mposhti edhe garuesen italiane Oddete per të marrë medaljen e parë te artë olimpike per shtetin e Kosovës. Në anën tjetër Nora Gjakova kishte fituar luftën e parë por fatkeqsisht ishte lenduar gjate luftes kur me pas ne luften e dytë nuk mundi te luftunte 100% e saj dhe pesoi humbje.

Por lojrat olimpike që po mbahen në Tokoi ku Kosova rrëmbeu edhe dy medalje të arta, duke e çuar në tre medalje të arta të fituara nga Xhudistet e Kosovës të drejtuara nga Driton Kuka i cili bëhet treneri me i suksesshëm i të gjitha kohërave.

Kriza e Covid-19, Kosova nënshkruan marrëveshje prej 15 milionë euro me Bankën Botërore

Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor e Bankës Botërore, Linda Van Gelder, pas negocimit tё suksesshëm, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19 – Financimi shtesë”.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se “Qëllimi kryesor i marrëveshjes mbetet vazhdimësia e përgjigjes ndaj pandemisë përmes financimit për të mundësuar parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj COVID-19, si dhe për të ngritur kapacitetet e duhura në sistemet kombëtare të shëndetit publik”.

“Kjo marrëveshje kap vlerën totale prej 15 milionë euro dhe vjen si vazhdimësi e Marrëveshjes bazё, tё nënshkruar me datë 29 qershor 2020 me Bankën Botërore, e cila veçse kishte siguruar 46 milionë euro për menaxhim dhe reagim emergjent ndaj pandemisë.

Projekti do të mundësojë prokurimin e vaksinave kundër COVID-19, vaksinimin efektiv të popullatës, përmirësimin e sistemit të imunizimit, zhvillimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave mjekësore, prokurimin emergjent të barnave esenciale për trajtim të COVID-19 dhe të ngjashmeve, si dhe zhvillimin e strategjisë shëndetësore, mes tjerash”, thuhet në njoftim.

Rikujtojmë se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve poashtu ka përcaktuar masat për Ringjallje Ekonomike tё vendit tё cilat synojnë tё adresojnë vёshtirёsitё e shkaktuara nga pandemia COVID-19, ndёr tё tjera duke stabilizuar aktivitetin ekonomik nё Republikёn e Kosovёs.

Abdixhiku: Është obligim moral e ligjor të zbulohen vrasjet e të gjithë veprimtarëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar veprimtarin Shaban Manaj, në 21 vjetorin e vdekjes së tij.

Abdixhiku ka thënë se Manaj ishte një personalitet i rrallë, i cili punoi fort krah presidentit Ibrahim Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës.

“Në korrikun e vitit 2000, në fillet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, u shua një pishtar i këtij rrugëtimi. Veprimtari, atdhetari e avokati i shquar Shaban Manaj, u privua mizorisht nga jeta, që edhe sot e kësaj dite mbetet mister. Shaban Manaj, ishte një personalitet i rrallë, punoi fort krah Presidentit Rugova, por rrugëtimin e nisur e ndali dora vrastare e atyre që nuk ia deshën të mirën Kosovës. Shaban Manaj me të drejtë për kontributin e tij për shtetin e Kosovës u dekorua me urdhrin e lartë shtetëror, ‘Hero i Kosovës’”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.

“Familjarët dhe bashkëpunëtorët e Shaban Manajt nuk mund të jenë asnjëherë të qetë pa zbardhjen e motivit dhe rrethanave të vrasjes së tij si dhe dënimin e atyre që kryen këtë akt barbar, ndërsa është obligim moral e ligjor i organeve kompetente të zbulojnë të gjitha vrasjet e të gjithë veprimtarëve që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Shaban Manaj”, ka përfunduar ai.

Avokatët e Thaçit e të tjerëve kërkojnë listën e dëshmitarëve që do të përdoren në gjykim, ZPS-ja s’ua jep

Avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk janë pajtuar në seancën e sotme paragjyqësore që këta të fundit ta bëjnë dhe ta dorëzojnë një listë të dëshmitarëve të cilët mendon t’i përdor në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, raporton Gazeta Express.

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi tha se Prokuroria duhet t’ua japë këtë listë, në mënyrë që ekipet mbrojtëse të përgatiten për gjykimin.

“Për cilët dëshmitarë kërkon t’i thërrasë në gjykim dhe cilët nuk do t’i thërrasë. Kemi dëshmitarë për të cilët ZPS-ja ka marrë deklaratë dhe mendoj se ata do të dëshmojnë. Ne kemi nevojë që të vendosim përparësi në përgatitjet tona, dhe këtë e bëjmë duke e ditur se cilët dëshmitarë do të dëshmojnë në sallë. Prandaj, kërkojmë që Prokuroria ta bëjë një listë”, tha avokati Mishetiq.

Me këtë u pajtua edhe David Young, avokat i Rexhep Selimit, si dhe mbrojtësit e Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.

“Unë do të thosha thjesht se e mbështesim kërkesën e ngritur nga avokati i Z. Thaçi”, tha Nick Kaufman, avokat i Kadri Veselit.

Ndërsa një prokurore nga Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kërkesa e mbrojtësve të ish-krerëve të UÇK-së është “jashtë kontekstit”.

“Kjo kërkesë nga mbrojtja është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçantitë e çështjes sonë gjyqësore”, tha ajo.

“Koncepti i listës paraprake të dëshmitarëve është element që duket se mbrojtja e ka marrë në një çështje të paraqitur nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta. Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, tha prokurorja.

Ajo shtoi se Prokuroria do t’i nxjerrë materialet e dëshmitarëve të cilat do t’i përdor në gjykim.

Në kundërpërgjigjje, avokati Luka Mishetiq tha se “Nuk shoh asnjë arsye se pse e kanë kaq të vështirë Prokuroria ta bëjë këtë (listën).

“Pse kërkohen kaq shumë burime për ta bërë një listë të tillë? Ne e shikojmë që ata kanë nxjerrë materiale, por ato nuk na tregojnë se cilët do të vijnë të dëshmojnë dhe cilët nuk do të japin dëshmi. Derisa të na japin një arsye të fortë se pse nuk na japin këtë listë, ne do të vazhdojmë ta kërkojmë atë”, tha avokati amerikano-kroat.

Tërnava ua uron besimtarëve Kurban Bajramin

RFE/RL

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në prag të Festës së Kurban Bajramit, uroi besimtarët myslimanë për këtë festë dhe ftoi qytetarët që të kenë kujdes dhe të respektojnë masat kundër koronavirusit, pasi siç u shpreh, “virusi është ende në mesin tonë”.

Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kurbanit dhe kryerjen e Haxhit, por për këtë të fundit, tha se shpreson që vitin e ardhshëm, besimtarët të kenë mundësi të shkojnë në Mekë dhe Medinë që të kryejnë këtë kusht të Islamit.

“Fatkeqësisht edhe këtë vit, besimtarëve tanë, për shkak të gjendjes pandemike nuk u është mundësuar që të udhëtojnë drejt vendeve të bekuara të Mekës dhe Medinës, mirëpo shpirtërisht e ndiejmë aromën e atyre vendeve dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’iu lutur krijuesit të gjithësisë”, tha ai.

Sipas myftiut Tërnava, Festa e Kurban Bajramit në themele të saja ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë.

Në Arabinë Saudite, besimtarët myslimanë, të vaksinuar kundër koronavirusit, janë lejuar që të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, as këtë vit u lejuan që besimtarët e huaj të marrin pjesë në këtë ceremoni.

Liburn Aliu: Ndërtimi i “Luginës së Diellit” në veri është i paligjshëm

RFE/RL

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, tha të premten se ndërtimi i vendbanimit “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, është i paligjshëm.

Ky projket financohet nga Serbia.

“Ajo çka ka ndodhur në veri, me aq sa kemi ne informacion, i bie që as me planet urbane të Serbisë nuk është… Pra, zhvillimi në Luginën e Diellit konsiderohet si ndërtim pa leje sa u përket institucioneve të Republikës së Kosovës, por nuk ka asnjë informacion që ekziston çfarëdo leje ndërtimore, respektivisht çfarëdo lloj plani hapësinor, që është respektuar për ndërtimin e tij. Prandaj, mund të themi se në tërësi është një veprim i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me çfarëdo ligji”, tha Aliu në një seancë të Kuvendit të Kosovës.

Shteti i Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë në përfundim të ndërtimit të lagjes “Lugina e Diellit” në Komunën e Zveçanit, e cila është e banuar me shumicë serbe.

Në një sipërfaqe prej 15 hektarësh tokë janë 300 njësi banesore të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.

Është raportuar se projekti kap vlerën prej 14 milionë eurosh.

Aliu tha se në bazë të informacioneve të disponueshme, Ministria e Mjedisit e Kosovës ka dërguar në vitin 2016 inspektorët e saj, për të kërkuar një raport nga Komuna e Zveçanit, në lidhje me ndërtimin e vendbanimit.

Por, atëbotë, shtoi ai, askush nga ajo komunë nuk ka pranuar t’i japë përgjigje inspektoratit.

Pas kësaj, Aliu tha se Ministria e Mjedisit ka ngritur padi kundërvajtëse ndaj drejtores së urbanizmit në Komunën e Zveçanit.

“Pas kësaj padie, dy vjet më vonë, gjykata e ka shfuqizuar atë, për faktin se kanë kaluar dy vjet dhe padia është parashtruar”, tha Aliu.

“Tani në dokumentacione, në aspektin gjyqësor, situata është krejtësisht e mbyllur, sa i përket Ministrisë karshi Komunës së Zveçanit”, theksoi Aliu.

Aliu tha se Ministria që drejton ai, ka 38 të punësuar në veri të Kosovës, ndërsa në kuadër të Inspektoratit të Ministrisë janë 12 punëtorë.

“Por, fatkeqësisht, raporte për gjendjen në veri në mënyrë zyrtare nuk ka”, tha Aliu.

Ai shtoi se Ministria e tij është duke punuar për t’i mbledhur të gjitha informatat për aktivitetet në veri të Kosovës dhe për punëtorët e kësaj Ministrie në veri dhe se ajo do ta informojë Kuvendin dhe Qeverinë më vonë.

“Se cilat do të jenë veprimet politike më pastaj për vendosjen e rendit, mbetet çeshtje politike që do të diskutohet këtu në Kuvend“, tha Aliu.

Marrëveshja për ndërtimin e vendbanimit “Lugina e Diellit” ishte nënshkruar në vitin 2015 nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe dhe organi i përkohshëm në Zveçan, që funksionon në kuadër të sistemit serb.

Në krye të këtij organi është Ivan Todosijeviq, ish-ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal të Qeverisë së Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë.

Vendbanimi është duke u ndërtuar që nga viti 2016.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një letër dërguar Komunës së Zveçanit, e cila e ka shpallur qytetar nderi më 14 korrik, ka thënë se “gjithçka që bëhet dhe ndërtohet, çdo gur në Luginën e Diellit është themeli ynë për të ardhmen në këto hapësira”.

Gërvalla-Schwarz: Në Kosovë pritet të vijnë mbi 1 milion bashkatdhetarë nga diaspora

Prishtinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, bashkë me drejtorin e Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë inspektuar kushtet, sfidat dhe mundësitë me të cilat do të priten këtë vit kosovarët që jetojnë jashtë Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Gërvalla-Schwarz tha se për t’u uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, institucionet kanë filluar përgatitjet e tyre që më herët.

Ajo u bëri thirrje për durim kosovarëve që vijnë për disa javë për pushim në Kosovë, nga vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian (BE) në situata jo të favorshme, kur ka radhë të gjata në komunikacion, apo në raste kur shërbimet nuk janë aq të shpejta për ta.

“Lusim gjithashtu të gjithë që me shumë kujdes të sillemi së bashku në komunikacion mirë në raport me njëri-tjetrin. Durimi, ndoshta ndonjëherë do të vihet në sprovë gjatë kësaj periudhe të ngjeshur sepse duhet imagjinuar se nëse presim mbi 1 milion qytetarë nga mërgata gjatë kësaj vere, për të bërë një krahasim banal është njësoj sikur të dërgosh 40 milionë gjermanë gjerman në Gjermani për një muaj ose gjashtë javë. Prandaj, ta shijojmë të gjithë së bashku këtë verë, ta shijojmë privilegjin që më në fund po takohemi të gjithë së bashku, përsëri”, tha ajo.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se policia gjatë periudhës paraprake ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe planet operacionale që të ketë një pritje sa më të mirë të mërgatës, njëkohësisht kalim të sigurt të kufirit pa pritje të gjata.

“Në aeroportin e Prishtinës vetëm gjatë dy javëve të kaluara, nga data 1 deri më sot, kemi pasur mbi 80 mijë pasagjerë të cilët kanë kaluar nëpër kontrollet e Policisë së Kosovës, ndërsa kemi pasur mbi 30 mijë të cilët kanë shkuar jashtë Kosovës. Natyrisht që ky fluks është në rritje. Jemi në periudhën kur do të kemi edhe më shumë qarkullim dhe njerëz që vijnë në Kosovë. Policia është e përgatitur edhe në aspektin operacional dhe në aspektin e masave teknike”, tha ai.

Diaspora është konsideruar vazhdimisht nga autoritetet shtetërore si njëra nga shtyllat kryesore dhe më të forta të ekonomisë së Kosovës.

Gjenden baktere potencialisht kontaminuese të ujit në Deçan

Spitali në Deçan

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bëri të ditur se nga mostrat e ujit, të marra në Deçan më 12 korrik, janë identifikuar disa baktere që “mund të japin indikacion për kontaminim të ujit të pijshëm”.

Institucionet shëndetësore në Deçan, qysh në fundjavë, janë duke u përballur me fluks pacientësh, që raportojnë simptoma të helmimit.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Shëndetësisë në këtë komunë, mbi 1,500 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare.

Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit janë duke vazhduar, tha të enjten IKSHPK-ja.

“Ekipet e IKSHPK-së nga të gjitha rajonet e Kosovës vazhdojnë punën në terren, duke punuar intensivisht në gjetjen e shkakut të shpërthimit epidemik”, thuhet në komunikatë.

Një ditë më herët, ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, tha se disa mostra të pacientëve të helmuar në Deçan do të testohen jashtë Kosovës.

Deçani furnizohet me ujë nga ujësjellësi rajonal “Hidrodrini”.

“Hidrodrini” furnizon me ujë edhe komunat: Pejë, Istog, Klinë dhe Junik.

Djali i Ukshin Hotit emërohet kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime lidhur me personat e zhdukur

Ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, djali i veprimtarit shqiptar, Ukshin Hoti, është emëruar kryetar i delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.

Para pak ditësh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e emëroi Hotin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qendror për Persona të Zhdukur.

 

Përmes një njoftimi për media, zyra e kryeministrit tha se “obligim i yni si Qeveri që të bëjmë më të mirën e mundshme për t’ua zbutur këtë gjendje duke u angazhuar më shumë për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre”.

“Çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet prioritare të Qeverisë së Kosovës, dhe emërimi i sotëm tregon që kjo temë shkon përtej politikës. Dhimbja dhe ankthi me të cilën familjet përballen që 23 vite, rritet çdo ditë e më shumë. Për Qeverinë e Kosovës është e rëndësishme që të kemi një front të përbashkuar karshi Serbisë, në kërkesat tona për ballafaqim me të kaluarën”, është thënë një në njoftim.

Kurti e takon kryediplomatin grek: Njohja e Kosovës nga Greqia do t’i kontribuonte paqes në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka takuar sot ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias. Kurti ka kërkuar që dy vendet t’i forcojnë marrëdhëniet bilaterale, duke i kërkuar Greqisë që ta njohë Kosovën, raporton Express,

Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti ia ka përmendur kryediplomatit grek rëndësinë që ka përkrahja e Greqisë për Kosovën edhe në çështrjen e liberalizimit të vizave.

 

“Greqia dhe Kosova duhet të forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan, ka thënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në Athinë. Duke e vlerësuar rolin e politikës së jashtme greke ndaj Kosovës, kryeministri Kurti tha se njohja e pavarësisë së Kosovës do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon. Kryeministri theksoi edhe rëndësinë që ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e ZKM-së

Sipas Zyrës së Kurtit, kryediplomati grek ka thënë se Greqia është e interesuar t’i forcojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ta ndihmojë Kosovën në liberalizimin e vizave.

“Ministri i Jashtëm grek tha se duke pasur parasysh historinë dhe gjeografinë e përbashkët të rajonit Greqia është shumë e interesuar të forcojë marrëdhëniet bilaterale me Kosovën. Ai shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë. Ministri Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për  liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Në takim u diskutua po ashtu edhe për zhvillimet politike dhe projektet energjetike rajonale.

Ambasadori spanjoll në Beograd: Mosnjohja e Kosovës i shkakton probleme Spanjës

Spanja nuk e njeh Kosovën, por kjo i shkakton probleme të konsiderueshme Madridit zyrtar, tha ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome Molina, transmeton Gazeta Express.

Në një intervistë për Novostin e Serbisë, Molina tha se pozicioni i Spanjës në lidhje me Kosovën është politikë zyrtare shtetërore.

“Mosnjohja e Kosovës bazohet në respektimin e rreptë të së drejtës ndërkombëtare dhe parimeve themelore të saj, siç është respektimi i integritetit territorial, të cilat janë shkelur”, tha Molina.

I pyetur nëse Spanjës po i ushtrohet presion për ta ndryshuar pozicionin e saj, Molina mohoi, duke thënë se qëndrimi i këtij shteti nuk është kapriçioz dhe arbitra.

“Megjithatë, është e vërtetë që mosnjohja shkakton probleme të konsiderueshme për Spanjën, veçanërisht në kontekstin e organizatave ndërkombëtare”, theksoi ai.

Kur u pyet për t’i komentuar spekulimet e fundit se Spanja e ka në plan të hapë zyrë ndërlidhëse në Prishtinë, Molina deklaroi se kjo nuk do të supozonte ndryshimin e pozicionit spanjoll.

Mbi 400 banorë të helmuar në Deçan

Doruntina Baliu

Të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit. Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Marramendje e të vjella i kapluan edhe gjashtë anëtarë të familjes Lushaj nga fshati Shaptej në Deçan të dielën, më 11 korrik.

Shkumbin Lushaj thotë se uji në rubinetin e shtëpisë, që furnizohet nga ujësjellësi, nuk është i pastër tash e një javë, ndërsa që nga dita e shtunë, kanë vërejtur simptoma të lehta të helmimit.

“Kemi që disa ditë që uji nuk po vije normalisht i pastër, por është i turbulluar. Të shtunën në mbrëmje filluan disa prej simptomave, por nuk i mora si serioze. Ndërsa të dielën filloi marramendja, vjellja, diarreja… të cilat përveç meje i prekën edhe të gjithë anëtarët e familjes time”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Lushaj është njëri ndër qindra banorë të disa fshatrave në Deçan, që përjetuan simptoma të ngjashme, duke ngritur alarmin te stafi mjekësor në QKMF.

Sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Edhe Zenel Kadrijaj nga fshati Rastavicë, tregoi për Radion Evropa e Lirë se ditëve të fundit, kishin vërejtur ndryshime në dukjen e ujit të pijes.

“Tek uji e kemi vërejtur që e ka pasur ngjyrën më të mbyllur dhe një natë më pas ka pasur sasi të madhe të klorit”, tha ai.

Kadrijaj tha se bashkëshortja dhe vajza e tij përjetuan simptoma më të rënda nga helmimi.

Ujësjellësi ndërpreu ujin deri në publikimin e rezultateve të testimit

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.

Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.

“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.

Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.

Ndërkaq, drejtori Berisha tha se në koordinim edhe me organet e komunës, janë duke shqyrtuar të bëjnë apel që në të gjithë Deçanin të mos pihet uji deri sa të kuptohet nëse uji është shkaktar i helmimit.

Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.

Ish-ushtarë të UÇK-së protestojnë në Prishtinë në mbështetje të Thaçit dhe të tjerëve që po mbahen në Hagë

Sot para qeverisë së Kosovës është protestuar në mbështetje të ish-komandantëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, raporton Gazeta Express.

Ish-ushtarë të UÇK-së janë mbledhur sot për të protestuar duke mbajtur parulla me mbishkrimin “Unë jam veç një çlirimtar, kështu më deshi liria”.

Kjo protestë është organizuar nga Nuredin Gashi ish-pjesëtar i UÇK-së.

Ata kanë këruar lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e jakup Krasniqin duke bërë thirrje që edhe qeveria të reagojë për mbajtjen e tyre në paraburgim.


Send this to a friend