VOAL

VOAL

Zyrtarja e lartë amerikane në Prishtinë, takon kryeministrin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Prishtinë, zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery, shkruan Gazeta Express.

Zëvendës ndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që Presidenti Biden ka me Kosovën.

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-ve, si aleat trategjik.

Ai e falënderoi për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe shprehu vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu e njoftoi për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.

Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohen për vlerësimin e Presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.

Gjithashtu, u bisedua për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.

Kryeministri Kurti ka falendëruar ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.

Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri shprehu përkushtimin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.

Edita Tahiri: Djali i George Soros të shpallet non grata! Ndalni edhe Edi Ramën

Ish-kryenegociatorja e bisedimeve Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka bërë një deklaratë të fortë. 

Ajo kërkon që Kosova të shpallë non grata djalin e manjatit amerikan, George Soros.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri shkruan se Alex Soros ka qenë dy ditë më parë në Prishtinë, ndërsa sot Edi Rama ndodhet në Beograd, duke theksuar se “po ndodhin lojëra të rrezikshme në rajonin e Ballkanit”. 

Sipas saj, Alex Soros, sikurse edhe George Soros, punuan hapur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Postimi
Edi Rama ne Beograd, djali i Sorosit pardje ne Prishtine….Lojera te rrezikshme. A ka kush ta ndal Ramen dhe a ka kush ta shpall ‘persona non grata’ djalin e Sorosit qe hapur punoi per ‘shkembimin e territoreve’

Të gjitha të dhënat: LDK-ja partia e parë në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka certifikuar rezultatet për kuvendet komunale, të zgjedhjeve të 17 tetorit, raporton Express

Sipas këtyre rezultateve, Lidhja Demokratike ka dalë partia më e votuar në vend. Pas LDK-së renditët Lëvizja Vetëvendosje, e në vendin e tretë Partia Demokratike e Kosovës.

Zgjedhjet e 17 tetorit kanë ndryshuar renditjen që kishin partitë politike në ato nacionale.

Partia më e votuar ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës, me 170 mijë e 134 vota. Pas saj renditet Lëvizja Vetëvendosje me 168 mijë e 84 vota.

Partia Demokratike e Kosovës është renditur e treta, me 161 mijë e 645 vota, derisa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbetur e katërta, me 90 mijë e 863 vota.

Ndërkaq sa iu përket kuvendeve komunale, LDK dhe PDK kanë siguruar nga 206 asamblistë në nivel vendi.

LVV këtu renditet e treta, duke siguruar 194 ulëse, ndërkaq AAK 121.

Ndryshe, në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë, ndërkaq 21 të tjera do të garojnë në raundin e dytë në balotazh, më 14 nëntor./GazetaExpress/

Ish-komandanti i FSK-së: Vuçiq dhe Vulin po rekrutojnë mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, thotë se prezenca ruse në veri të Kosovës është e përditshme.

Kastrati deklaroi se ka informacione se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellur në veri të Kosovës.

“Prezenca ruse në Ballkan është shumë e qartë, ne jemi shumë të vetëdijshëm që në veriun e Mitrovicës prezenca e njerëzve rusë nga Rusia dhe Serbia dhe kjo është e përditshme. Qëllimi i Rusisë dhe ‘Republika Srpska”’është që të jetë prezente këtu [në veri] nëpërmjet tensioneve të ndryshme – e shohim edhe situatën në Bosnje ku kryetari i kësaj republike, Milorad Dodik, ka paralajmëruar se do të ngris forcat e veta ushtarake dhe policore për mundësinë e shkëputjes nga federata boshnjake dhe kjo sipas meje do të ishte një zinxhir edhe tek veriu i Kosovës”.

“Sipas disa informacioneve që unë i kam me dijeninë e Vuçiqit dhe Vulinit janë duke rekrutuar mercenarë rusë për t’i sjellë në veri të Kosovës dhe në krye të këtij grupi është gjenerali Dikoviq – ku sipas detyrave që ai i ka, nëse ndodhë një destabilizim në Bosnje automatikisht njësoj do të fillonte edhe në veri të Kosovës dhe qëllimi final i Serbisë është që ta bëjë “Serbinë e Madhe”, deklaroi Kastrati për Klan Kosova.

Ish-komandanti mes tjerash tha se Qeveria duhet të ketë prioritet FSK-në si dhe mbrojtjen dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve.

Arben Gashi: Grenell na tha që ta rrëzojmë Kurtin për 7 ditë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së në Kuvend, Arben Gashi, ka treguar se ish i Dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzojnë qeverinë Kurti 1.

Ai tregon se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.

“Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe cdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, thotë Gashi në Kanal 10.

Ai tutje shton se qasja e Qeverisë Kurti është arrogante ndaj opozitës. Ai thotë se sa herë që dalin me propozime në Kuvend, marrin akuza nga pozita por që thotë se sjellje të tilla të dërgojnë drejt rënies së besimit nga populli

“Tashmë ne ke kemi marrë çmimin për atë punë., e kemi paguar. I takon të shkuarës. Kthehemi në ditët e sotme. Zoti Kurti ka një qeveri me një rezultat të jashtëzakonshëm si pasojë e atyre që ndodhën. Ne kemi marrë mësimin tonë. Mendoj se qasje e tyre ndaj opozitës në Kuvend është agresive. Sa herë dalim me ndonjë propozim ata na thonë se juve ju ka treguar populli ku e keni vendin. Po në rregull ne kemi këtë rezultat prej 13%, por 13% e popullit janë me në. 50% i kanë fituar ata por 50% është në anën tjetër. Por mos të harrojmë se me këso sjellje edhe ne kemi rënë dhe besoj edhe këta”, përfundon ai.

MJEKU QË MBI GJITHÇKA KA VËNË HUMANIZMIN – Nga Iliriana Pylla

– Tryezë Shkencore organizuar nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova”

Salla Solemne e Pallatit të kulturës ,,Asim Vokshi në Gjakovë u mbush plot.Dhe s,kishte si të ndodhte ndryshe sepse personazh kryesor do të ishte Dr.Ali Iljazi ,e kur ai flet normalisht vëmendja dhe interesimi do të jenë në maksimum.Duke respektuar masat e pandemisë,auditori pati rastin të dëgjojë një ligjëratë tejet të qëlluar në Tryezën Tematike të titulluar,,Si ta kultivojmë qartësinë intelektuale”,referues I së cilës ishte Primarius Dr.Ali Iljazi e që ,si zakonisht ,këto ngjarje organizohen nga Shoqata e Intelektualëve ,,Jakova “në Gjakovë.

Prof .Dr .Ruzhdi Sefa I cili ishte në krye të këtij organizimi fare në fillim u shpreh :,,Studimi/ hulumtimi i UNDP i titulluar “PULSI PUBLIK” (2020) ofron të dhëna mbi qëndrimet e popullit të Kosovës ndaj votimit, të dhëna mbi ndikimin e COVID-19 në mirëqenien ekonomike, shëndetin fizik dhe shëndetin mendor të të anketuarve, si dhe për kënaqshmërinë e tyre me masat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës për ta parandaluar përhapjen e COVID-19.Sipas rezultateve të studimit problemet kyçe sipas hulumtimit janë: papunësia(30.9%) dhe varfëria (20.6%) ndërsa arsimi (2.4%) dhe Sjellje anti-sociale (bixhozi,prostitucioin, droga, alkoolizmi dhe trafikimi I qenieve njerëzore) vetëm 0.8%A nuk janë këto të dhëna tepër brengosse!?Ose mua nuk më ka rastis ose (që është më afër mendsh) nuk janë diskutuar asnjë prej këtyre e shumë materialeve hulumtuese e studimeve për ne, për popullin e për shtetin tonë.Dhe ajo që na imponohet vetëvetiu: Ku janë intelektualët dhe cili duhet të jetë roli i tyre! Intelektualët nuk janë të përqëndruar në të SOTMEN dhe nuk po punojnë dhe nuk po investojnë për të ardhmën! Jo!Për këtë sot në Tryezën tematike të Shoqatës kemi vënë temën: “SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE” ose”SI TË MBETEMI INTELEKTUAL” dhe “Cili duhet të jetë roli i intelektualit SOT e NESER e për cdo ditë!”?Më problem se keqbërja është pavullneti për ta sfiduar atë: këndvështrimi juaj për situatën në të cilën gjendemi sikur i adresohet jo vetëm politikës por edhe korpusit tonë intelektual, sidomos të atyre që janë më afër arsimit të lartë dhe Universitetit! A nuk na flet mjaftueshem gjendja në të cilën gjendet akademia jonë?, përfundoi Sefa duke lënë një pikëpyetje vërtetë të madhe .

 

Prim.dr.sci.med. Ali F. Iljazi lindi në Gjakovë në vitin 1949. Rrjedh nga një familje me ndjenja të  thella fetare e kombëtare. Nga kjo familje pati 20 hoxhallarë dhe shtatë myderrizë eminentë, që shërbyen në Medresenë e Madhe të Gjakovës afro 280 vite me radhë.Prim.dr.sc.med. Iljazi e kreu shkollën fillore dhe të mesme në vendlindje, me sukses të shkëlqyeshëm.Fakultetin e mjekësisë e kreu në Sarajevë në vitin 1973, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm. Për suksesin e arritur gjatë studimeve u dekorua me “Shenjën e artë të Universitetit të Sarajevës”, si studenti më i suksesshëm dhe më i dalluar në këtë Universitet.Specializimin në lëmin e mjekësisë interne e kreu në Sarajevë, në vitin 1979, po ashtu me sukses të shkëlqyeshëm dhe mirënjohje të veçantë. Në vitin 1987 mori titullin e primariusit. Ndërsa në vitin 1988, në Universitetin e Novi Sadit, mbrojti titullin e doktorit të shkencave të mjekësisë.Për herë të parë në ish-Jugosllavi dhe Evropë zbuloi testimin me karbakol si një test bronkoprovokues më sensitiv (Dose-response curve – PD100 Raë).Është i pari në Kosovë që aplikoi testimin bronkoprovokues me pluhura organike si dhe aplikimin e metodave më bashkëkohore të ekzaminimit të traktit respirator në Kosovë dhe ish-Jugosllavi.Deri më sot ka botuar 50 libra dhe mbi 80 punime shkencore si autor dhe bashkautor nga lëmi i mjekësisë, të botuara këto nëpër revista të ndryshme në ish-Jugosllavi, Ballkan, Gjermani, Indi dhe SHBA, si dhe të referuara në shumë kongrese e seminare të ndryshme.Ka realizuar me qindra emisione radiotelevizive si në: TV Besa, TV Opinioni, TV Era, TVSH, RTK, TV Syri, TV Ballkani, Radio Gjakova, Radio Besa, Radio Pendimi, Radio Kosova, si dhe qindra CD dhe DVD. Ka mbajtur ligjërata shkencore në të gjitha trojet shqiptare, në diasporë, si dhe në Universitetin Ballkanik në Shkup dhe Universitetin e Europes Juglindore( Shtul), Tetovë.Është paraqitur me tema shkencore në shumë kongrese në Kosovë, ish-Jugosllavi, Zvicër, Gjermani, Angli, Austri etj. Që nga viti 1988 ka marrë pjesë në mënyrë aktive në ligjërata dhe tribuna në të gjitha trevat shqiptare dhe diasporë.Dy vite me radhë ishte Dekani i parë dhe profesor ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë “Fehmi Agani”, në Gjakovë.Për punën e tij të palodhshme afro 50 vjeçare dhe kontributin në mjekësi, dr. Aliu u dekorua me Medaljen e meritave për popull, Mirënjohjen publike të qytetarit të merituar të Gjakovës, Mirënjohjen e universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Mirënjohjen e universitetit “Bedr” në Tiranë, Mirënjohjen e universitetit ballkanik në Shkup, Shtul etj. Po ashtu mori edhe çmimin “Hoxhë Hasan Tahsini” në Tiranë, për merita të veçanta humane në karrierën e tij të gjatë si mjek, për kontributin e vyer në zhvillimin e shkencave mjekësore dhe të shëndetësisë në Kosovë si dhe për rolin  e tij të rëndësishëm në edukimin e profesionistëve të rinj edhe në fushën e kulturës dhe etikës mjekësore. Pastaj, u dekorua me Shenjën e argjendtë dhe të artë të Kryqit të Kuq të Kosovës, si dhe një varg mirënjohjesh të tjera.Pas pensionimit, në vitin 2014, punon në poliklinikën private “European Clinic”, në Gjakovë si specialist internist-pulmolog.Mjeku human është baba I 6 fëmijëve 5 prej të cilëve janë mjekë.

 

Në ligjëratën e tij  Dr.Iljazi shpalosi të dhëna nga disa vende të ndryshme të botës e edhe të vendit tonë lidhur me të qenurit intelektual ,si trajtohet ai në vendin tonë,sa ata kontribuojnë në shoqëri ,etj.Ai ka theksuar se ne si njerëz shfrytëzojmë 1% ose më pak se 1% të kapacitetit tonë intelektual gjë që është tejet brengosëse.,,Kjo ndodh për shkak të sugjestioneve negative që ne kemi ,si nga ana e mësimdhënsesve ose prindërve,pastaj mediave ose edhe gjithë shoqërisë sonë.Na ka rënë shpesh të dëgjojmë,vjen djali në shtëpi e I thotë babai ,,hajt more se s,je për shkollë,hyjë në zanat”,dmth menjëherë ia bllokon neuronet.Prandaj ne duhet të jemi përgjegjës dhe të marrim iniciativa e të rrisim breza të shëndoshë .Posaqërisht intelektualët duhet të jenë tepër të vëmendshëm karshi fenomeneve negative e të reagojnë në situata kur kërkohet nga ata.Duhet të dinë edhe një gjë se janë vet intelektualët ata që e kanë përgjegjësinë kryesore në atë se cfarë drejtimi dfo të marrë shoqëria jonë vitet në vijim.Bile ne duhet ta kujtojmë e ta përsërisim shpesh thënien e Ismail Qemalit,,një fëmijë që fle rritet e një komb që fle vdes”,ka thënë pos tjerash Dr.Iljazi.Ai po ashtu ka prezantuar fakte e të dhëna nga shkencëtarë të njohur botërorë,studimet e të cilëve janë shumë aktuale dhe përkasin me realitetin në vendin tonë.

Të pranishnmit e mirëpritën fjalën e mjekut I cili ishte I hapur edhe për pyetje.Në këtë organizim floën edhe Prof,Dr Jahja Kokaj pastaj Behar Zenelaj,etj.Ndërkohë që shkrimet e tyre të lidhura me temën kishin dërguar edhe Zef Preka,Faton Kurti,Fahri Musliu e Fdil Maloku.

QARTËSIA INTELEKTUALE

Jetojmë në një kohë debatesh. Mendimet janë të shumënduarshme, ndërsa e vërteta është vetëm një. Megjithatë, themi, ´le të lulëzojnë mijëra lule´, të bindur se lulja më e bukur gjendet diku aty. Nga ana tjetër, e kemi për detyrë që të jemi sa më të qartë në dialog mes nesh, dhe kjo qartësi nënkupton qartësi nocionesh. Gjuha matematikore ka, për shembull, koncepte të përkufizuara mirë, përndryshe nuk do ta kishte vlerën që ka në jetën tonë. Me këtë dua të them se edhe ne njerëzit e debatit duhet t´i kemi parasysh disa parime themelore që i kërkon ´rendi i kuvendit´, bazuar në atë se kush flet dhe cila është çështja që diskutohet. Kjo nuk do të thotë se për politikë mund të flasin vetëm ata që kanë kryer fakultetin e shkencave politike, por kërkohet megjithatë që të ndiqen disa parime, ashtuqë debati të mos shndërrohet në një ´muhabet fushë.´   Në rastet kur ndonjë person e quan veten intelektual, kërkesat për plotësimin e disa kritereve janë më të mëdha, për arsye se njeriu intelektual është ai person që ka një përgatitje të veçantë në një fushë të caktuar, e mban përgjegjësi profesionale në një debat, duke shpjeguar me fakte se përse mendon ashtu si mendon. Sa më të qartë e më të logjikshëm të jemi, aq më lehtë do të na kuptojnë edhe të tjerët.  Përfundimisht, duhet theksuar se botëkuptimi për jetën dhe dukuritë e ndryshme, është parakusht për një qartësi sa më të madhe intelektuale. Nuk mund të mbajmë qëndrim mbi dukuri aq të ndërlikuara si çështjet mbi të cilat debatojmë ne përditë, pa i zbërthyer ato në pjesë më themelore, për të parë emëruesit e përbashkët që lidhin gjithçka në një tërësi të plotë. Nëse nuk e respektojmë një ndërlidhshmëri të tillë të dukurive, nuk do të kemi mendime të integruara mirë, dhe do ta humbim fillin e së vërtetës, duke u përpjekur të kapemi pas lloj-lloj argumentesh, të hedhur si hunj të shkulur në livadhin e mendësisë së mjegulluar.Kultivimi më i përshtatshëm (praktik) i qartësisë intelektuale duket si kjo që keni organizua ju të nderuar orgsnizatorët e kësaj Tryeze shkencore.Kjo metodë jep rezultate dhe do duhej të bëhet modë organizative dhe të kalojë në shprehi e përmes saj në kulturën e popullit. Atëherë flasim me gjuhen e argumentit dhe jo abstrakte . Respekt për temën e qëlluar dhe mbase është aq e rëndësishme sa që nëse nuk ka patur, do duhej të ishte Temë Disertacioni! Urime dhe mbarësi!

Zef Prenka

Stuttgart   27.Tetor‘21

Një tjetër vështrim ka dërguar edhe bashkëqytetari ynë Faton Kurti.

“SI TA KULTIVOJMË QARTËSINË INTELEKTUALE”

Të nderuar miq, bashkëpunëtorë dhe intelektualë të Gjakovës.Ndjehem i nderuar që ndonëse nuk jam prezent mes jush, të mund të vij tek ju përmes fjalës dhe mendimit që me shumë mirënjohje po lexohet në këtë çast.Besohet natyrshëm se një intelektual e sheh botën ndryshe. Në fakt ky besim nuk është krejt i gabuar. Dija dhe hapja e të gjitha shqisave ndaj dijes e bëjnë një intelektual një person që kundron nga shumë dritare misterin e botës që e rrethon.Intelektuali është ai që jep interpretime për fenomene të vecanta në disiplina të caktuara si arti, sociologjia, politika, psikologjia, letërsia, interpretime kaq të artikuluara dhe koherente që duke i pohuar në opinionin publik të arrijë tëinfluencojnë mendimin e njerëzve të zakonshëm por edhe tek komuniteti shkencor duke i bërë kështu të dyja bashkësitë më të vetëdijshme, më të emancipuara dhe më të avancuara.Roli i intelektualit në shoqëri i thënë ndryshe është ai i zgjimit të ndërgjegjes.Pa asnjë aftësi praktike në përmirësimin e një situate, ai ka detyrën teorike të“përmirësimit” të kulturës së qytetërimit, sidomos duke I nxitur personat të mendojnë në mënyrë korrekte dhe kritike mbi fenomenet kulturore apo shoqërore ekzistuese.Sic pohon edhe Sartri “Intelektuali është ai që ka vetëdijen e kundërshtisë, Brenda vetes dhe në shoqëri, mes kërkimit të vërtetës dhe ideologjisë dominuese me sistemin e tij të vlerave tradicionale“.Ky është konceptimi “Iluminist” I intelektualit, si ai që ka aftësinë të shpërndajë kulturë duke luftuar injorancën në shërbim të progresit të qytetërimit. Një lloj humanisti. Në këtë kuptim të ngushtë intelektuali mendohet si zëri kritik I shoqërisë që kontribuon në formimin e opinionit publik rreth një tematike apo problematike të caktuar. Pra, thënë ndryshe intelektuali është ai që jep orientimin e ndërgjegjes individuale në formimin e një ndërgjegje dhe opinioni të arsyeshëm dhe kritik- ose mësaktë, më afër të vërtetës dhe të drejtës- mbi një temë që prek aktualitetin njerëzor.I kuptuar kështu, intelektuali është regjisori I vërtetë I progresit. I kuptuar në këtë mënyrë atij mund ti jepet njohja kolektive dhe raporti I privilegjuar si ai që I jep formë jo vetëm kronikës kulturore të një kombi por edhe si ai që formon “vetëdijen kritike”.Duke kuptuar rëndësinë që ka apo më saktë duhe të ketë intelektuali në shoqërinëshqiptare në Kosovë dhe pasi unë jam një intelektual I përfshirë aktivisht në politikë:dy vite më parë kam artikuluar ftesën dhe apelin që intelektualët e Kosovës nuk mund të qëndrojnë më indiferentë ndaj politikës dhe zhvillimeve shoqërore.Ndaj subjekti politik që unë drejtoj Republikanët e Kosovës ka punuar dhe ofron një strategji të qartë në integrimin e intelektualëve brenda programit të tij politik.Intelektuali nuk mund të qëndrojë indiferent sidomos nëse arrin qartësinë e mendimit në peshoren e të vërtetës dhe vlerave.Të gjitha shoqëritë e zhvilluara, në renditjen e shtyllave kryesore të ndërtimit dhe sistemit të tyre demokratik një prej shtyllave më të forta dhe burimin e orientimit për politikat kombëtare I kanë të mbështetura tek intelektualët.Rezultatet jo vetëm ekonomike por edhe të ngritjes së standarteve në shumë fusha janë dëshmia se cdo komb që mbështet të tashmen dhe të ardhmen tek dija dhe ekspertiza e intelektualëve do të njohë lartësim dhe zhvillim shoqëror.Pa Intelektualët nuk ka Kosovë të së ardhmes.Kur shohim se si po degradon dita ditës politikëbërja në Kosovë dhe intelektualët janë lënë mënjanë, nuk mund të rrimë indiferentë.Ideja është që në të ardhmen, intelektualët të bëhen pjesë vendimmarrëse dhevendimtare në çështjet e mëdha politike dhe kombëtare.Partia, Republikanët e Kosovës, REK do t’ju shërbejë Intelektualëve si një platformë për implementimin e ideve dhe kapaciteteve të tyre krijuese në vendimmarrjet politike dhe ekzekutive në qeverisjen e Kosovës (dhe kjo nuk nënkupton patjetër anëtarësimin e tyre në këtë subjekt politik).Intelektualët, kanë përgjegjësi më shumë se askush për drejtimin që do të marrë shoqëria dhe vendi ynë.

Prof.Faton Kurti

Nga ana tjetër Profesori I njohur Fadil Maloku ,sociolog,I cili na ka dërguar një përmbledhje të shkurtë të një vështrimi që ka bërë ai mbi temën,,Intelektualizmi është dhunti, angazhim apo profesion”. Kujtoj se intelektuali i njëmendët, sikurse edhe në shoqëritë totalitare ashtu edhe në ato të tranzicionit, do të duhej të paktën ta ruaj edhe për një kohë këtë rol apo këtë dhunti specifike të udhërrëfyesit të ndërgjegjshëm për bashkëvendësit e vet. Sepse, vetëm duke e ushtruar këtë “profesion”, ai pa pardon dhe pa asnjë frikë do të duhej t’i emërojë ngjarjet, dukuritë, fenomenet e padyshim edhe sjelljet e ndryshme kërcënuese deviante që normohen në sistemet e reja vlerore të këtyre vendeve. Në fakt, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, pra prokuror i vet- vetes e avokat i interesave të komunitetit, ngaqë vetëm kështu ai mund ta fitojë një backgraund të tillë ndërgjegjësues në shoqëritë e tranzicionit. Ndryshe, ai nëse bie nën ndikimin e burokracive qofshin ato politike (sidomos!?), pastaj atyre kulturore e sociale, e humb peshën e karizmës për të qenë dhe për t’u mbajtur si i tillë jo vetëm në publik, por çka është më me rëndësi në histori. Por, kush është intelektuali i sotëm?Intelektuali nuk qan fortë kokën se çka mendojnë të tjerët, apo u pëlqen apo jo çfarë ai në të vërtetë thotë, kur mendon se ka çfarë të thotë. Po ashtu, intelektual i vërtetë nuk mund të shquhet ai i cili në mënyrë pasive mohon (ad hoc, edhe kur ka argumentimin dhe alibinë në favor të bindjes dhe gjykimit)çdo gjë, por ai i cili në mënyrë aktive provon t’i plasojë të vërtetat (pa marr parasysh pasojat dhe reperkusionet, të çfardo natyre çofshin ato!) e tij si domosdoshmëri dhe nevoja të kohës.

Fadil Maloku

Ndrësa gazetari I mirënjohur Fahri Musliu në pamundësi për të qenë prezent e ka dërguar një tjetër vështrim mbi këtë temë:,,Intelektualët dhe kriza shoqërore e shtetërore e Kosovës”. Në përkufizimin e intelektualit në rend të parë vjen liria dhe autonomia e personalitetit, që është i pavarur në mendim dhe nuk i përqafon urdhrat e paarsyetuara nga kushdo që vijnë (rebelimi kundër autoritetit është veti qenësore e intelektualit); kurse në veprimet e veta udhëhiqet sipas ndërgjegjes, e jo sipas normave heteronome (të varura). Kjo presupozon përgjegjësi për zbulimin e së vërtetës e mbrojtjen e lirisë, dhe guxim për t’iu kundërvënë dhunës dhe së keqes.Mendimi kritik, përfshirë edhe ndaj ideve të veta dhe ndaj botës, në të cilën jetojnë, janë dispozita të dalluara të intelektualëve – ata janë opozita shpirtërore e sistemit të fuqisë politike dhe ekonomike. Me fjalë tjera, interesi intelektual është zbulimi i së vërtetës që të dizajnohet bota, e jo që atë ta sundojë. Prandaj intelektuali “jeton për idenë” e “jo nga ideja”.Filozofi Zygmunt Bauman thotë: “Të jesh intelektual do të thotë të luftosh kundër botëkuptimit të njëanshëm ideologjik dogmatik të botës, në të kundërtën kur është i robëruar me një pikëpamje mbisunduese ndaj botës, intelektuali bëhet ideolog shtetëror në shërbim të sistemit të dhënë, e jo të përparimit të njeriut”Por a janë në të vërtetë intelektualë të gjithë njerëzit me arsimim superior (fakultet), Përgjigja është jo. Arsimimi dhe dija paraqesin kushtin, por jo edhe kushtin e mjaftueshëm, që dikush të bëhet intelektual, ashtu sikurse po ndodh tek ne në Kosovë, ku të gjithë ata që kanë të kryer fakultete e madje edhe me diploma (false) të blera, të pavlefshme.Intelektualët ekzistojnë mbi dy ide: lirinë dhe të vërtetën. E vërteta të shpeshtën sjell konfliktin midis intelektualëve dhe pushtetit aktual. Sundimtarët (në asnjë sistem dhe gati asnjë shtet) nuk e duan të vërtetën. Ata janë në frikë prej atyre që janë nën pushtetin dhe opinionin e tyre. Në masën në të cilën raporti ndërmjet sundimtarit dhe vasalit është i gërshetuar me frikën, intelektualët kanë guxim “të shërbehen me mendjen dhe guximin e vet”.Pra intelektuali duhet të ketë vesh për frymën e kohës, ngjarjet, krizën, mjerimin, rrënimin e moralit. Duhet të ketë integritet dhe kode të fuqishme etike e njerëzore. Prandaj edhe shtrohet pyetja nëse kemi sot në Kosovë intelektualë në kuptimin e plotë të fjalës dhe misionit? Përgjigja është ka por janë të paktë dhe zëri e ndikimi i tyre është minor ose i injoruar nga pushtetet por edhe shoqëria mediokre e tribal, në çfarë është shndërruar shoqëria kosovare. Ata nuk kanë mundësi të shfaqin qëndrimet e tyre nëpër gazeta se të tilla nuk ka në Kosovë por as nëpër portalet e kontaminuara . A mjafton vetëm një shoqatë e intelektualve çfarë është shoqata Jakova, pse të tilla nuk ka në qytetet siç janë Prizreni, Peja, Prishtina, Ferizaji, Gjilani, MitrovicaNë këtë rrafsh mund të konstatohet se shumica e intelektualëve kosovarë nuk janë (e s’kanë qenë) dashamirë të shpirtërores, veç materialistë praktikë. Nuk po luftojnë për të vërtetën, veç po u shërbejnë klaneve të ndryshme në pushtet dhe jashtë tij. Nuk po e shikojnë të mirën e përgjithshme, por atë vetjake (familjare, klanore, partiake). Në servilizmin e vet kanë lejuar që politikanët të jenë arbitër të së vërtetës dhe moralit. Në të kundërtën nuk na mbetet asgjë tjetër, pos që edhe publikisht të brohorisim: Avanti diletanti!

Pra si siç mund ta keni vërejtur shumë u tha për intelektualët në këtë Tryezë .A e meritojnë ata të trajtohen si një shtresë ose grup specifik shoqëror,ose a po angazhohen në atë masë që edhe trajtimin ta kenë të dinjitetshëm! Kam lexuar diku se sipas Aristotelit identifikoheshin si intelektuale ato virtyte që bënin pjesë në shkencë, art dhe punë mendore, e që i lejonin shpirtit të arrijë të vërtetën.Mendoj se Intelektualët nuk duhet t,ia lejojnë vetes të mbyllin gojën ,të mos e thonë të vërtetën,por të jenë në ballë të detyrës kur kërkohet të kritikohen fenomene e dukuri negative .

Iliriana Pylla

Gjakovë 1 Nëntor 2021

Fotografite jane realizuar nga Shkelzen Rexha

Nder dhe emocion! Kosova ka Operan e saj !

“Nje koncert historik si gur i çmuar ne themelin e Operes se Kosoves”, kështu shkruan sopranoja me famë botërore pas shfaqjes inauguruese të Operas së Kosovës.
Ndërsa Hajrulla Çeku, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, po në rrjetin social shkruante:  “Nder, krenari dhe emocion.”
Duke lajmëruar kështu ngjarjen e madhe në jetën kulturore të Kosovës. Tani Kosova ka Operan e saj.
Më poshtë në lajmin e bukur z.Çeku shkruan se “mbi 170 profesionistë të muzikës, talentë të dalë nga ky vend, Kosova, e që veprojnë me sukses këtu e në skena të ndryshme botërore,
u bënë bashkë në koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.
Ky institucion i rëndësishëm e i sapothemeluar e nisi programin me vënien në skenë të operës “Goca e Kaçanikut ” nga kompozitori ynë i madh, Rauf Dhomi, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Ky është fillim i mbarë për një rrugëtim të gjatë dhe shpresëdhënës të muzikës operistike në Kosovë. Sonte shteti ynë bëri një hap të ri e të rëndësishëm në aspektin institucional kulturor, e teksa për dekada me radhë janë formuar artistë të shkëlqyer të këtij arti të cilët kanë shkëlqyer nëpër teatrot operistikë anembanë botës, tash e tutje ata do ta kenë mundësinë të shfaqen edhe në vendin e tyre.
Ne përherë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi muzikantë të talentuar e punëtorë, virtuozë të mediumit muzikor. Tash do të presim prej tyre të shpërthejnë në sallat e koncerteve me pasion dhe gëzim për të ndarë muzikën dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me art dhe kulturë.
Ndërsa paralelisht punohet për funksionalizimin e vetë institucionit të Operës dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, kjo natë le të kujtojë se toka jonë është plot talent dhe dashuri.
Dua t’i falenderoj të gjithë ata që punuan me aq përkushtim që kjo natë të na sjellë kaq shumë pozitivitet e energji të mirë.”
Operas të Kosovës voal.ch i uron një rrugëtim sa më të bukur!

Ndërtimi i rrugëve, një debat i pafund në Kosovë

Kosovë: Rrugë që lidh Prishtinën me Gjilanin, e cila është afër liqenit të Badovcit. Fotografi nga arkivi.

Shkëlqim Hysenaj

Adem Lushajt, ekonomist nga Deçani, i duket e pakuptimtë që qeveria të nisë projekte të reja infrastrukturore siç është rruga Prizren – Tetovë pa u përfunduar rrugët magjistrale të nisura para më shumë se dhjetë vitesh.

Lushaj thotë se qytetarët e Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës përballen me transport të vështirë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe mosfinalizimit të projekteve rrugore.

Mungesa e infrastrukturës rrugore moderne për këtë pjesë të Kosovës, sipas tij, shkakton humbje dhe nuk i lejon bizneset që të zhvillohen.

“Edhe pse i kanë filluar, kanë mbetur punimet në gjysmë që më të vërtetë janë duke e penguar zhvillimin e komunikacionit të lirë sidomos rruga Gjakovë – Klinë që është për keqardhje të kalohet andej. Njëjtë ka mbetur edhe rruga Prishtinë – Pejë”, shprehet Lushaj. Infrastruktura e dobët, sipas Lushajt, i ka lënë këto komuna pa investime.

“Investimet mund të ndikohen edhe nga këto rrugë sepse edhe më lehtë investitorët interesohen të investojnë në atë pjesë ku janë rrugët e mira, qarkullimi i mirë”, thotë Lushaj.

Rruga Prizren – Tetovë s’e pengon asnjë projekt të brendshëm

Në muajin shtator të këtij viti në një mbledhje të përbashkët, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nënshkruan disa marrëveshje në mesin e të cilave edhe marrëveshjen për ndërtimin e një rruge që lidhë Prizrenin me Tetovën.

Ndërtimi i kësaj rruge për të cilën tashmë janë bërë studimet e fizibilitetit pritet të përfundoj deri në fund të vitit 2024.

Kostoja e projektit që përfshinë edhe një tunel rreth 6 kilometra të gjatë, pritet të jetë rreth 150 milionë euro dhe synohet që të ndërtohet kryesisht me fonde nga jashtë, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Ne do të synojmë që të sigurojmë fonde për komplet projektin dhe nëse aplikojmë bashkë si dy shtete gjasat i kemi më të mëdha që të sigurojmë fonde por ne e kemi zhvilluar si projekt të rëndësisë së veçantë që edhe nëse nuk i sigurojmë komplet fondet, një pjesë të tyre do ta sigurojmë nga buxheti i shtetit”, tha Durimishi.

Durmishi thotë se nuk ka nevojë që të ngritet asnjë shqetësim në Kosovë pasi ndërtimi i rrugës Prizren – Tetovë nuk e stopon asnjë projekt tjetër infrastrukturor.

Ai thotë se qeveria është duke u marrë intensivisht me projektet e nisura më parë meqë sipas tij, modernizmi i infrastrukturës rrugore është prioritet i qeverisë.

“Ne nuk e kemi ndal asnjë projekt të rëndësishëm brenda territorit të Kosovës në mënyrë që ta realizojmë projektin Prizren-Tetovë. Ne jemi duke i vazhduar të gjitha kontratat; rrugën për Podujevë, rrugën për Mitrovicë, rrugë për Pejë, aty ne e kemi ndalë procesin e shpronësimit por se kemi ndalë ndërtimin e rrugës”, shprehet Durmishi.

Krahas hapjes së korridoreve të reja, profesor i menaxhimit strategjik Halim Gjergjizi thotë se Qeveria duhet të shtoj përpjekjet për të përfunduar projektet që janë lënë në gjysmë.

“Gjithsesi këto rrugë kanë filluar dhe duhet të ndërtohen dhe arsyet pse nuk janë finalizuar janë dobësitë tona menaxhuese. Duhet të insistohet që ato të finalizohen por jo tash të mbyllemi dhe të presim derisa të tjerët janë hapur, kanë hapur korridore, kanë ndërtuar rrugë moderne”, thotë Gjergjizi.

Gjergjizi bënë të ditur se projekti për rrugën Prizren – Tetovë ka ekzistuar para viteve 90’ por thotë se nuk është impelemtuar për shkak të rrethanave politike të kohës.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është kritik ndaj vendimeve të qeverisë. Ai mendon se fillimisht do të duhej të kryheshin projektet që integrojnë qytetarët dhe bizneset e komunës së Klinës, Istogut, Pejës, Deçanit, Junikut dhe Gjakovës me pjesët tjera të Kosovës.

Lekaj thotë se heqja dorë nga projekti i autostradës së Dukagjinit është prej gabimeve më të mëdha të kësaj qeverie.

“Të ndahen 150 milionë euro për rrugë që dërgon në Tetovë, krejt në rregull këto lidhje por mendoj se është një nguti derisa i kanë penguar projektet e tjera. Si përfundim i imi është që kjo Qeveri po dëshiron të ndikojë më tepër në këtë kohë në elektorat sesa në zhvillim të infrastrukturës apo ekonomisë”, thotë Lekaj.

Rruga Prizren – Tetovë e fuqizon ekonominë e të dyja vendeve

Por për dallim prej këtyre dyshimeve që ngrihen në Kosovë për ndikimin e këtij projekti në Maqedoni të Veriut mendojnë se rruga Prizren-Tetovë është e një rëndësie të madhe ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Arben Halili, thotë se përveç aspektit kombëtar, hapja e rrugës Prizren-Tetovë në aspektin ekonomik mes tjerash lehtëson qasjen në tregun shqiptar në Shqipëri.

“Do mundësojë shkëmbimin më të lehtë të mallrave dhe shërbimeve dhe njëkohësisht do të shërbejë si një rrugë transit që do të lidhë më tepër vende”, shprehet Halili.

Halili thotë se shpreson se qeveria e Maqedonisë së Veriut të ketë vullnet për realizimin e këtij projekti.

“Uroj që rruga Tetovë-Prizren, të mos ketë të njëjtin fat si ka rruga Shkup – Prishtinë nga pjesa e Maqedonisë së Veriut por duke marrë në konsideratë se kemi të bëjmë me në projekt vital, besoj se bashkëpunimi ndërqeveritar do të jetë në nivelin e duhur dhe gjithë kjo të jetë në interes të zhvillimit ekonomik të të dyja vendeve dhe pse jo të shërbejë edhe si rrugë transit edhe për vendet e rajonit”, thotë Halili.

Rruga Prizren – Tetovë sipas planifikimeve pritet të jetë e gjatë rreth 50 kilometra.

Ky do të jetë një projekt i përbashkët në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kosova me Maqedoninë e Veriut lidhjen kryesore rrugore e ka përmes autostratës “Arbën Xhaferi” që lidhë Prishtinën me Shkupin. Gjatësia e kësaj autostrade është rreth 60 kilometra dhe për ndërtimin e saj nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar më shumë se 600 milionë euro.

Shpallen rezultatet përfundimtare: 21 komuna në balotazh

Doruntina Baliu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) të enjten ka bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare për zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Sipas këtyre rezultateve, 21 komuna do të garojnë në raundin e dytë në balotazh, ndërsa në 17 komuna është vendosur fituesi në raundin e parë.

Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së, pas shpalljes së rezultateve bëri të ditur se ekziston mundësia e ankesës për këto rezultate brenda 24 orëve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

Një ndër çështjet që nxiti diskutim gjatë mbledhjes për shpalljen e rezultateve ishte rezultati për komunën e Hanit të Elezit.

Kjo për shkak se zgjedhjet në këtë komunë janë kontestuar nga kandidati i pavarur, Rufki Suma, i cili sipas rezultateve preliminare u mund nga kundërkandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Mehmet Ballazhi.

Suma ishte ankuar në PZAP duke kërkuar përsëritje të votimit për shkak të “presionit ndaj votuesve”.

PZAP-ja kishte marrë vendim për përsëritje të votimit në të gjithë Hanin e Elezit, mirëpo Gjykata Supreme kishte vendosur që kjo çështje të rivendoset në PZAP.

PZAP-ja në vendimin e dytë, të marrë më 28 tetor, hodhi poshtë kërkesën e Sumës për përsëritje të votimit. Aktualisht, lidhur me këtë vendim po rrjedh ende afati për ankesë në Gjykatën Supreme.

Kreshnik Radoniqi në argumentimin e tij për shpalljen e rezultateve përfundimtare edhe për Hanin e Elezit tha se sot po bëjnë shpalljen e rezultateve e jo certifikimin e tyre.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, rundi i dytë i zgjedhjeve ndërmjet dy kandidatëve, të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme, mbahet ditën e diel, katër javë pas rundit të parë. Në këtë rast i bie që rundi i dytë do të mbahet më 14 nëntor.

Rezultatet përfundimtare për kryetarë komunash:

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara të enjten, në Komunën e Deçanit i ka fituar zgjedhjet Bashkim Ramosaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK).

Në Mitrovicën e Jugut zgjedhjet i fitoi Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Në Lipjan, në rundin e parë fitoi kandidati Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).

Në Suharekë, zgjedhjet për kryetar i fitoi Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK).

Pejën e fitoi Gazmend Muhaxheri nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK).
Në Ferizaj, në rundin e parë fitoi Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Ndërkaq ,në Hanin e Elezit fitues doli Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës(PDK).

Partia serbe, Lista Serbe, ka fituar më së shumti komuna në këto zgjedhje lokale. Kjo parti ka arritur të fitojë në nëntë komuna, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Pa balotazh, Lista Serbe ka fituar në Leposaviq me kandidatin Zoran Todiq, në Zubin Potok me Sërxhan Vuloviqin, në Zveçan me Dragisha Milloviqin, në Mitrovicë të Veriut me Milan Radojeviqin, në Graçanicë me Liljana Suboviqin, në Novobërdë me Sasha Millosheviqin, në Shtërpcë me Dalibor Jevtiqin, në Ranillug me Katarina Ristiqin dhe në Partesh me Dragan Petkoviqin.

Komunat që do të garojnë për rundin e dytë:

Në Komunën e Gllogovcit do të ketë balotazh mes Ramiz Lladrovcit të PDK-së me 45.50 për qind të votave dhe Driton Ajazit nga Demokratët për Drenasin me 30.50 për qind të votave.

Gjilani do të ketë balotazh ndërmjet Lutfi Hazirit nga LDK-ja që mori 43.51 për qind të votave, dhe Alban Hysenit nga LVV-ja që mori 44.71 për qind të votave.

Komuna e Gjakovës do të ketë balotazh ndërmjet Ardian Gjinit të AAK-së me 45.76 për qind të votave dhe Mimoza Kusari-Lilës së LVV-së me 37.20 për qind të votave.

Komuna e Kaçanikut do të ketë balotazh mes Besim Ilazit nga PDK-ja me 44.67 për qind të votave dhe Jeton Rakës nga LVV-ja me 33.36 për qind të votave.

Dragashi në balotazh do ta ketë Bexhet Xheladinin nga LDK-ja që mori 35.69 për qind të votave dhe Shaban Shabanin nga PDK-ja që mblodhi 32.56 për qind tëvotave.

Burim Berisha i LDK-së me 49.72 për qind të votavedhe Enver Bajçinca nga LVV-ja me 25.58 për qind të votave, do të jenë në balotazh për Fushë Kosovën.

Në Istog në balotazh do të jenë Ilir Ferati i LDK-së me 41.09 për qind të votave të fituara dhe Bekë Berisha nga AAK-ja me 24.49 për qind të votave.

Balotazhi në komunën e Obiliqit zhvillohet ndërmjet Xhafer Gashit nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin me 48.12 për qind të votave dhe Halil Thaçit të LVV-së me 20.19 për qind të votave.

Në komunën e Klinës në balotazh shkojnë Zenun Elezaj nga AAK-ja me 43.33 për qind të votave dhe Esat Raci nga PDK-ja me 27.42 për qind të votave.

Në Kamenicë në balotazh shkojnë Qëndron Kastrati nga PSD-ja me 32.52 për qind të votave dhe Kadri Rahimaj nga LVV-ja me 31.01 për qind të votave.

Në balotazh në Rahovec do të jenë Smajl Latifi i AAK-së me 47.18 për qind të votave dhe Visar Korenica i LVV-së me 24.84 për qind të votave.

Komuna e Podujevës shkon në balotazh ndërmjet Ekrem Hysenit të LDK-së me 44.20 për qind të votave dhe Shpejtim Bulliqit të LVV-së me 44.16 për qind të votave.

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, shkon në garën e balotazhit ndërmjet Arben Vitisë së LVV-së me 45.54 për qind të votave dhe Përparim Ramës së LDK-së me 29.17 për qind të votave.

Në Viti në balotazh shkojnë Sokol Haliti i LDK-së me 41.30 për qind të votave dhe Arsim Ademi i LVV-së me 34.50 për qind të votave.

Në Prizren në balotazh takohen Mytaher Haskuka i LVV-së me 40.41 për qind të votave dhe Shaqir Totaj nga PDK-ja me 31.36 për qind të votave.

Komuna e Junikut shkon në balotazh mes Agron Kuçit nga AAK-ja me 45.19 për qind të votave dhe Ruzhdi Shehut të LDK-së me 42.01 për qind të votave.

Komuna e Malishevës shkon në balotazh mes Ekrem Kastratit nga Nisma Socialdemokrate me 34.08 për qind të votave dhe Isni Kilajt të PDK-së me 28.82 për qind të votave.

Në Vushtrri në balotazh kanë shkuar Ferit Idrizi i PDK-së me 10 247 vota ose 34.81 për qind, dhe Xhafer Tahiri i LDK-së me 9 956 vota ose 33.82 për qind.

Në Shtime në balotazh garojnë Qemajl Aliu i VV-së me 45.29 për qind të votave dhe Naim Ismajli i PDK-së me 44.23 për qind të votave.

Kllokoti shkon në balotazh mes Vladan Bogdanoviqit nga Lista Serbe me 41.01 për qind të votave dhe Strahinja Spasiq nga Gi Srpska Narodna Sloga me 36.33 për qind të votave.

Komuna e Mamushës shkon në balotazh me Abdulhadi Krasniqi nga Kosova Demokratik Turk Partisi me 48.92 për qind të votave dhe Arif Butuqi nga Kosova Adalet Turk Partisi me 36.95 për qind të votave.

Të dyshuarit për lidhje me Hezbollahun nuk janë shtetas të Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla.

RFE/RL

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë tha se personat e sanksionuar për lidhje të dyshuara me Hezbollahun, nuk janë shtetas të Kosovës.

Një ditë më herët, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë sanksione ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit.

Në disa media lokale dhe ndërkombëtare u raportua se këta persona janë qytetarë të Kosovës, por MPJD e mohoi këtë.

Sipas MPJD-së, masat e vendosura demonstrojnë angazhimin e Kosovës si pjesë aktive e aleancave ndërkombëtare kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

“Me qëllim të promovimit dhe mbrojtjes së paqes, demokracisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut, marrja e një vendimi të tillë do të kontribuonte në vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleat i rëndësishëm, dhe partnerë të tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta, paqes dhe sigurisë”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Radion Evropa e Lirë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur të enjten, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se sanksionet vendosen “konform Rezolutës 1373 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj shtatë individëve dhe një kompanie për lidhjet e tyre me organizatën terroriste Hezbollah dhe rolin e tyre në rrjetin financiar të saj në Gadishullin Arabik”.

Sanksionet konsistojnë me ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve nga individët dhe entitetet në Kosovë.

Më 23 qershor të vitit 2020, Qeveria e Kosovës e ka shpallur organizatë terroriste krahun politik dhe atë ushtarak të Hezbollahut.

Hezbollah është një grup shiit i Libanit, i themeluar në vitet e 80-ta. Më herët është shpallur organizatë terroriste edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera perëndimore.

Hezbollah përkrah ideologjinë islamike shiite të Teheranit dhe e konsideron liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si udhëzues politik dhe shpirtëror.

Presidentja e Kosovës publikon letrën e radhës falënderuese nga SHBA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar senatorin James E. Risch nga Komiteti i Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë për një letër falënderuese për rolin e Kosovës gjatë luftës në Afganistan.

Në një postim në Twitter, Osmani ka thënë se Republika e Kosovës është një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara.

“Partneriteti ynë strategjik bazohet në vlera dhe angazhime të përbashkëta. Mezi pres të thellojmë bashkëpunimin ndërsa trajtojmë ndikimet keqdashëse në rajon. Së bashku më të fortë”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Ndërkohë në letrën e Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhëniet me Jashtë, të nënshkruar nga senatori James E. Risch është falënderuar Kosova për partneritetin në 20 vitet e fundit në luftën kundër terrorizmit dhe në përpjekjet në dy muajt e fundit gjatë tërheqjes nga Afganistani.

“Më 11 shtator 2001, Amerika përjetoi sulmin më të keq në historinë tonë kombëtare. Që nga ai vit, Kosova ka rritur mbështetjen për SHBA-në derisa kemi ndjekur përgjegjësit për sulmin ndaj idealeve tona demokratike. Gjatë luftës në Afganistan, Kosova ka qenë një partner i vërtetë i SHBA-së dhe NATO-s. Partneriteti i Kosovës ishte qartë në pah gjatë evakuimit nga Kabuli gjatë muajve të fundit. Përgëzojmë dëshirën e vendit tuaj për të lejuar qindra refugjatë nga Afganistani për tu vendosur në Kampin Bondsteel ndërsa ata ishin duke u procesuar për pranim në SHBA”, është shkruar në letër duke shtuar se Kosova ishte ndihmuese në misionin në Afganistan dhe në operacionet e shpëtimit dhe tanimë qindra njerëz janë të sigurt si rezultat i veprimeve të tilla.

Më tej theksohet se kontributi dhe sakrifica e bërë nga populli i Kosovës në luftën kundër terrorizmit nuk do të harrohet.

“Edhe pse ne jemi ballafaquar me pengesa në këta muajt e kaluar, ne nuk duhet që kurrë të harrojmë përkushtimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe siguria globale që ishin qëllimi i kësaj ndërmarrje. Më tej, besojmë se interesat tonë do të mbesin të përafërta në sigurinë e qytetarëve tanë. Përkushtimi ynë mbetet i fuqishëm dhe ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me ju për të mbështetur këtë angazhim. Ne presim përforcimin e partneritetit strategjik në luftën kundër terrorizmit dhe në mbrojtjen e njerëzve tanë si dhe të vlerave tona të përbashkëta në ditët dhe muajt në vazhdim”, është thënë më tej në letër.

Ekipe mobile për vaksinim në shtatë qytete të Kosovës

Me qëllim të rritjes së nivelit të vaksinimit, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, përmes ekipeve mobile, ka nisur vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, më 22 tetor, 2021.

Në shtatë qytete të Kosovës, ekipet mobile do të bëjnë të enjten dhe të premten vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit.

Ministria e Shëndetësisë tha se ekipet mobile do të jenë të vendosura në sheshet kryesore të qyteteve: Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan.

Vaksinimi, ndërkohë, do të vazhdojë edhe në të gjitha qendrat e vaksinimit, thuhet në njoftim.

Vaksinat që jepen në Kosovë janë: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Evropiane e Barnave.

Në Kosovë, vaksinimi kundër koronavirusit ka nisur në fund të marsit.

Deri të enjten, mbi 717,000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht.

Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë mbi 400.

Apeli refuzon kërkesën e Thaçit, mbetet në paraburgim

Paneli i Gjykatës së Apelit në kuadër të Gjykatës Speciale ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçit kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim, shkruan Gazeta Express.

Sipas Apelit, mbrojtja e Thaçit ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet.

Në vendimin e apelit thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm përpara tij në lidhje me kushtet e propozuara të lirimit për t’i mundësuar atij të marrë një vendim të informuar për zbutjen e rreziqeve të identifikuara.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dha dorëheqje dhe shkoi në Hagë, pasi iu konfirmua aktakuza për krime lufte, nga Dhomat e Specializuara. Bashkë me të, si udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u akuzuan edhe ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.

Kosovë – Ndahen mjete financiare pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale

Pensionistët do tё përfitojnë nga 100 euro shtesё mbi pensionin e rregullt dhe shtesёn aktuale
RFE/RL

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është miratuar propozimi i ministrit të Financave, Punёs dhe Transfereve, Hekuran Murati, për ndarjen e mjeteve financiare pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale.

Me anё tё kёtij vendimi, përfituesit e skemave pensionale nё muajin nëntor do tё përfitojnë nga 100 euro shtesё mbi pensionin e rregullt dhe shtesёn aktuale. Ndërkaq, përfituesit e skemave sociale nё muajt nёntor dhe dhjetor do tё pёrfitojnё dyfishin e pagesës sё rregullt dhe shtesёs aktuale. Vlera për përfituesit e skemave sociale dhe pensionale arrin shumën e mbi 36 milionë eurove.

Ndarja e këtyre mjeteve është bërë në kuadër tё zbatimit tё masave të Pakos sё Ringjalljes Ekonomike.

Ministri Murati tha se me këto mjete shtesë, prej të cilave përfitojnë 330 mijё familje, do të zbuten vështirësitë ekonomike që kanë ato familje me rritjen e çmimeve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit.

Ndahet nga jeta regjisorja Burbuqe Berisha

RFE/RL

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha, raportojnë mediat në Kosovë.

E lindur në Shkup, regjisorja Berisha studimet themelore dhe master i ka përfunduar në Fakultetin e Arteve, dega Regji e Filmit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.

Autore e një numri të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër dhe të gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore, Burbuqe Berisha është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar.

Në vitin 2019 Berisha u shpall fituese e Çmimit Kombëtar për Kinematografi.

Disa nga realizimet e saj janë “Lexi në qytet” në 10 episode, “Ashensori”, “Kosova 9/11”, “Ëndrra”, “Nanë”, “Dimri i shpirtit”, “Bunari”, “Viti 2000” etj. Kurse, nga filmat e saj dokumentarë shquhen “Për Jusuf Gërvallën”, “Universiteti nëpër vite”, “Harmonika”, etj.

Për katër vjet me radhë ka punuar si drejtoreshë e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pastaj anëtare e Këshillit Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe kryetare e këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Së fundi ishte pro -dekane në Fakultetin e Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë në Kolegjin AAB. Ka ligjëruar lëndët Film Dokumentar, Regji televizive, Regji për film, teatër dhe televizion.

Burbuqe Berisha ishte drejtoreshë artistike e festivalit “Prishtina Internacional Theater Festival”.

Në shumë festivale filmash ka qenë anëtare e jurive profesionale me karakter ndërkombëtar dhe është aktiviste e shumë kampanjave bamirëse.

Bashkimi Evropian: Kosova përparon ngadalë por me hapa të sigurt në përfaqësimin e grave

Prishtinë

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se Kosova po përparon ngadalë por sigurt në aspektin e përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëse dhe publike, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ku u bë lansimi i projektit “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, ambasadori Szunyog tha se për fat të keq, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit fatkeqësisht “shumë pak gra kanë qenë kandidate për kryetare komune, ndërsa vetëm dy janë zgjedhur në këtë pozitë”.

“Kosova është duke përparuar ngadalë por me siguri në përfaqësimin e përgjithshëm të grave në procese vendimmarrëse dhe pozita publike. Ka gjithashtu një numër në rritje të grave në Qeveri dhe në Kuvend”, tha ambasadori Szunyog.

Ai tha se pjesëmarrja e grave në negociatat ndërkombëtare të Kosovës është diçka që ka munguar. Me përjashtim të ish-kryenegociatores në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri në mes të viteve 2011-2016, ai tha se shumë pak gra kanë marrë pjesë në ekipet negociuese.

Zëvendëskryeministrja kosovare Emilja Rexhepi, tha se tash e sa vjet është me rëndësi që në procesin negociues të përfshihen gratë sepse edhe sipas statistikave, 53 për qind e popullsisë janë të gjinisë femërore në Kosovës dhe është një diskriminim me ne gratë ngase nuk jemi të përfshira në pore të rëndësishme të shoqërisë kosovare.

“Kemi shumë gra aktive që mund të marrin pjesë në procesin negociator në mënyrën më profesionale. Unë e mbështes secilën grua që përfshihet në këtë proces, kështu që kam nder të veçantë që një numër i madh i organizatave joqeveritare punojnë për këtë çështje”, tha Rexhepi.

Projekti “Përfshirja e grave në tryezën negociuese në Kosovë” është bërë me anketimin e 211 grave, që përfshinte shqiptarë, serbë, turq, boshnjakë dhe nga komuniteti rom, ashkali, egjiptian.

Ky projekt vë në pah se nga zgjedhjet e fundit parlamentare 44 gra janë bërë deputete, numri më i lartë nga të gjitha legjislaturat e mëparshme.

Më tej thuhet se 70 për qind e të anketuarve në gjuhën shqipe dhe 50 për qind e të anketuarve në gjuhën serbe kanë deklaruar se nuk e dinë fare se kush janë anëtarët e ekipit negociues në dialogun në Bruksel ndërsa 50 për qind e të anketuarve të të dy gjuhëve nuk e kanë ditur se a ka gra në ekipin negociator.

Ambasadori gjerman: Politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë të martën se politizimi i sporteve nuk është kurrë ide e mirë.

Duke komentuar vendimin e fundit të autoriteteve serbe, që t’ia pamundësojnë pjesëmarrjen ekipit të Kosovës në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit, që po zhvillohet në Beograd, Rohde ka thënë se normalizimi afatgjatë i raporteve dhe pajtimi i qëndrueshëm mes shoqërive fillon me shkëmbimet intelektuale, kulturore, sportive dhe artistike.

Ai ka bërë këtë reagim duke iu referuar deklaratës së njëjtë që ka dhënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

“Parandalimi i boksierëve nga pjesëmarrja në Kampionatin Ndërkombëtar të Boksit shkon në drejtim të kundërt. Fatkeqësisht ky është shembull i Ballkanit të mbyllur dhe jo të hapur”, ka thënë Rohdes, në një postim në rrjetin social, Twitter.

Kampionati ka nisur në Beograd më 24 tetor dhe do të zgjasë deri më 6 nëntor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Albin Kurti, ka thënë të hënën se, vendimi i Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Kampionatin Botëror të Boksit paraqet “shkelje të normave ndërkombëtare të sportit”.

“Serbia duhet ta tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi”, ka thënë Kurti në Twitter.

Më 26 tetor, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, ka paralajmëruar se, gjatë kësaj jave, Kosova do të vendosë për ndalimin e zhvillimit të “aktiviteteve sportive paralele” serbe.

Sipas tij, në Kosovë funksionojnë shumë struktura paralele të federatave serbe, në kundërshtim me ligjet e Kosovës.

Kosova është dashur të përfaqësohet këtë vit në Kampionat nga tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Kosovë, hapet “Java për të drejtat e viktimave të krimit”

Prishtinë

Është hapur në Prishtinë “Java për të drejtat e viktimave të krimit” me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit” nën organizimin e Kryeprokurorit të Shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në fjalën e tij para të pranishmëve të cilët ishin udhëheqës të institucioneve të larta në vend, prokurorë, gjykatës dhe përfaqësues të institucioneve, tha se Republika e Kosovës është prijëse në rajon sa i përket mbrojtjes së viktimave.

Ai tha se viktimat e krimit në Kosovë ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po marrin trajtimin e duhur nga institucionet, megjithëkëtë, ai tha se janë të vetëdijshëm që ende duhet punë për të parandaluar abuzimet, dhunimet dhe keqtrajtimin ne viktimave të dhunës.

Lumezi tha se përkushtimi i Prokurorisë duhet të jetë në koordinim me institucionet ligjzbatuese. Ai tha se rrethanat e krijuara nga pandemia e COVID-19 krijuan vështirësi për institucionet ligjzbatuese, por, sipas tij, shërbimet për viktimat nuk kanë pushuar as në këtë periudhë.

“Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1.584 raste të viktimave në total, prej tyre 1.396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente”, tha Lumezi i cili u bëri thirrje prokurorëve dhe mbrojtësve të viktimave që t’i mbrojnë viktimat sa herë ata trokasin në dyert e tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se duhet rritur efikasitetin në sundimin e ligjit për një shoqëri pa dhunë.

Osmani tha se statistikat e fundit rreth dhunës, sidomos ajo me bazë gjinore, janë të frikshme dhe nevojitet ndëshkim i kryerësve të veprave penale.

“Më 2019 dhe 2020 janë 9 gra që kanë pësuar me jetë nga dhuna e shkaktuar nga burrat. Deri në shtator të këtij viti janë edhe 3 gra të tjera viktima, teksa në polici deri në këtë periudhë janë raportuar mbi 1.500 raste të dhunës ndaj grave, dhunës mbi baza gjinore”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, një gjë është e padiskutueshme dhe e pakompromis në këtë aspekt, ajo që, mosndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë. Ajo tha se nëse heshtet para padrejtësive, kjo gjë do të nxisë edhe më shumë ata që kryejnë vepra penale dhe do t’i dekurajojë ata që janë viktima.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila theksoi se në gjashtë muajt e fundit ka pasur 22 raste të viktimave të krimit, tha se do të angazhohet maksimalisht për mbrojtjen e viktimave nga kjo lloj dukurie.

Sipas ministres Haxhiu, viktimë e krimit mund të jetë kushdo megjithatë si ministre e drejtësisë është e shqetësuar me rritjen e numrit të viktimave gra dhe fëmijë.

Haxhiu tha se vetëm duke u angazhuar institucionalisht me bashkëpunim ndërinstitucional mund t’i nxisin qytetarët të raportojnë dhunën.

“Nuk mund të kemi asnjë sukses nëse funksionojmë të ndarë.Vetëm një hallkë institucionale të mos funksionojë, atëherë dështojmë t’i mbrojmë qytetarët tanë”, tha Haxhiu, duke theksuar se rastet më të rënda janë ato kur ndodhin për shkak të mosveprimeve institucionale.

Sesionet e javës për të drejtat e viktimave të krimit do të mbahen online nga data 26 deri më 29 tetor, ku do të diskutohen tema të ndryshme, si ”Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër dhunës në familje”; “Konfidencialiteti dhe ruajtja e privatësisë së viktimave të krimit”; “Reagimi institucional, koordinimi dhe zbatimi i dispozitave dhe politikave kundër trafikimit të njerëzve” dhe “Trajtimi i kryesve të dhunshëm me varësi nga droga, alkooli dhe me probleme të shëndetit mendor”.

Prishtinë, hapet edicioni i 12-të i festivalit të filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve”

Në kinemanë “Armata” në Prishtinë është hapur edicioni i 12-të i festivalit të filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve” (Balkan Byond Borders), që do të mbahet nga data 28 tetor deri më 31 tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Frymëzuar nga çështja e komunikimit që u sfidua përmes pandemisë, festivali sivjet do të shfaqë një Program Konkursi prej 33 filmash të shkurtër që përfaqësojnë kineastët e rinj ballkanikë.

Drejtoresha e këtij festivali, Vasiliki Maltasoglou në konferencën hapëse të këtij festivali i cili sivjet është me titull “Lëkura në (Ekran në) Lëkurë”, do të ketë filma me përmbajtje që trajtojnë temën e komunikimit.

“Këtë vit tema e cila trajtohet në filmat e shkurtër është lidhja apo komunikimi i cili u zbeh apo humbi gjatë këtyre dy viteve me përhapjen e pandemisë së COVID-19. Pra, programet e filmave do të flasin për lidhjet në familje, rrënjët tona, natyrën, me vetët tona”, tha Maltasoglou.

Kineastët pjesëmarrës do të kenë mundësinë të shpërblehen me çmimet: Çmimi më i mirë ‘Balkan Byond Borders’, Hyrja e Parë, Publiku dhe Përmendje, ku shuma totale e çmimeve shkon deri në 1.800 euro.

Vlerësimi i filmave të shkurtër do të bëhet nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga aktorja turke Burcu Biricik, Luana Bajrami, aktore/regjisore franceze nga Kosova dhe Drita Lolla, drejtoreshë e Festivalit të Filmit në Mal të Zi.

Ky festival ka për synim që të motivojë të rinjtë që të përdorin krijimtarinë e tyre, duke stereotipet e vazhdueshme për atë që është dhe çfarë nuk është “ballkanik”.

Festivali mbështetet nga ‘Creative Europe’ dhe Komuna e Prishtinës dhe bashkëpunon me një numër të madh të organizatave kulturore dhe rinore në rajon.

Festivali i filmit të shkurtër “Ballkani Përtej Kufijve” filloi edicionin e parë në Beograd më 2010 dhe nga atëherë është mbajtur në disa vende të Ballkanit si në Tiranë, Bukuresht, Sarajevë, Selanik e të tjerë.

Qeveria nuk ia mbyll derën UNMIK-ut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një takimi me shefin e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Zahir Tanin. 11 tetor 2021.

Shkëlqim Hysenaj

Roli i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK u zbeh pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në vitin 2008.

Por, që nga ajo kohë, UNMIK-u vazhdon të operojë në të gjithë territorin e Kosovës.

Udhëheqësit e UNMIK-ut takuan e ritakuan kryeministra, si dhe politikanë të tjerë të rëndësishëm të Kosovës.

Dikur kundërshtar i madh i UNMIK-ut, kryeministri Albin Kurti më 11 tetor 2021 e priti në zyrën e tij shefin aktual të këtij misioni, Zahir Tanin.

Në komunikatën pas takimit, kryeministria tha se takimi Kurti-Tanin ndodhi në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku shefi i UNMIK-ut do ta prezantonte raportin e rregullt të zhvillimeve në Kosovë.

Por, takime të tilla të një niveli kaq të lartë ndërmjet kryeministrit dhe shefit të UNMIK-ut, nuk do të duhej të ndodhin në realitet, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-ministrja Edita Tahiri.

Tahiri konsideron se misioni i UNMIK-ut në Kosovë, prej vitesh është një strukturë fosile, së cilës nuk duhet dhënë mundësi që ta arsyetojë ekzistencën.

“Nuk është mirë nga ana e qeverisë dhe kryeministrit të mbajë takime me UNMIK-un, sepse duke mbajtur takime të niveleve të larta jepet sinjali që (qeveria) ende e mbështetë ekzistimin e UNMIK-ut në Kosovë”, vlerëson Tahiri.

Ish-ministrja Tahiri thotë se këtë mision nuk duhet injoruar tërësisht, por sipas saj, komunikimi dhe bashkëpunimi duhet të vendoset vetëm në nivel teknik.

“Kontakte mund të kihet sepse ata janë në Kosovë, por ato nivele duhet të jenë nivele teknike, nivele të zyrtarëve administrativë dhe jo takime të niveleve politike, pra siç është puna e kryeministrit dhe shefit të UNMIK-ut”, thotë Tahiri.

Takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe shefit të UNMIK-ut, Tanin, nxiti kritika në Kosovë pasi u tha se kështu po fuqizohej roli i këtij misioni, i cili ligjërisht nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive që nga viti 2008.

“Derisa ata janë këtu ne i presim kur kërkojnë takim”

Në zyrën e kryeministrit të Kosovës thonë se janë të mendimit se misioni i UNMIK-ut është i panevojshëm që nga shpallja e pavarësisë. Por, sipas qeverisë, meqë ky mision është ende në Kosovë, do t’i presin sa herë që ata kërkojnë takim.

“UNMIK-u është këtu sepse OKB-ja refuzon të pezullojë mandatin e tyre, ndonëse është një trup i OKB-së, i cili që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës është i panevojshëm dhe nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive. Derisa ata janë këtu ne i presim kur kërkojnë takim”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Qeverisë së Kosovës.

Në qeveri thonë se kryeministri Kurti e ka bërë të qartë gjithmonë qëndrimin e tij karshi misionit të UNMIK-ut, që sipas ekzekutivit, është dashur qysh moti të shuhej.

“Kryeministri e ka bërë gjithmonë të qartë qëndrimin e tij karshi UNMIK-ut qysh moti dhe si asnjë lider tjetër në Kosovën e pasluftës. Prezenca e veprimtaria e UNMIK-ut është e panevojshme. Pas shpalljes së pavarësisë dhe konfirmimit të ligjshmërisë së saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, trup ky i Kombeve të Bashkuara, mandati i misionit të UNMIK-ut tashmë është trefish i tejkaluar”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit Kurti.

Pavarësisht mungesës së kompetencave ekzekutive, UNMIK-u raporton vazhdimisht për situatën në Kosovë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Nga viti 1999, bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u ka raportuar mbi situatën në Kosovë në periudha të rregullta tremujore.

Së fundmi, pas kërkesës së diplomatëve kosovarë në Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjes së këtij shteti, si dhe të Mbretërisë së Bashkuar, raportimet tani bëhen dy herë në vit.

Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit të OKB-së u zhvillua më 15 tetor dhe aty shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, u kritikua se akuzoi institucionet e Kosovës për shkaktimin e tensioneve në komunat në veri të Kosovës ku shumica që jeton atje janë serbë të Kosovës.

Tanin në fjalën e tij tha se Kosova e mori kokë më vete aksionin për vendosjen e masës së reciprocitetit, veprim ky, që sipas tij, shkaktoi krizë gati dyjavore në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe. Më 30 shtator në Bruksel, palët nga Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat, sipas së cilës simbolet shtetërore në targa do të mbuloheshin me letra ngjitëse.

UNMIK: Do të jemi këtu derisa Këshilli i Sigurimit nuk merr vendim tjetër

Radio Evropa e Lirë ka pyetur misionin e UNMIK-ut nëse konsideron se ende është e nevojshme prania e tij në Kosovë.

Në përgjigjen e këtij misioni thuhet se ata do të jenë këtu derisa Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk do të marrë një vendim tjetër.

“Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara përcakton mandatin e pranisë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë. Çdo rregullim i këtij mandati kërkon një vendim nga Këshilli i Sigurimit”, thuhet në përgjigjen e UNMIK-ut.

UNMIK-u ka shpjeguar se aktualisht bashkëpunon në fusha të ndryshme me institucionet e Kosovës, si dhe me shoqërinë civile. UNMIK thotë se bazuar në mandatin që ka në pesë vjetët e fundit, mes tjerash, ka ndarë rreth nëntë milionë euro për fuqizimin e rendit dhe ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut e bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve.

Në misionin e UNMIK-u thonë se shefi i këtij misioni “zhvillon konsultime të vazhdueshme me lidershipin e Prishtinës dhe Beogradit”, duke shtuar se takime të tilla zhvillojnë edhe me misione të tjera ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë këtu KFOR-in, OSBE-në dhe EULEX-in.

Miftaraj: UNMIK-ut t’i kërkohet raportim i drejtë

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo takim që zyrtarët e Kosovës mund të kenë me përfaqësues të UNMIK-ut, duhet të kërkohet që të ketë raportim të drejtë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Miftaraj thotë se në këtë duhet të insistohet përderisa OKB-ja nuk e shfuqizon Rezolutën 1244.

“Takime të tilla do të duhej të kontribuonin që Kosova të kërkojë nga UNMIK-u që në raportet që bëhen në Këshill të Sigurimit, të thuhet e vërteta, e që në rastin e fundit, fatkeqësisht kjo nuk ndodhi pasi që mund të themi pas një kohe jashtëzakonisht të gjatë, raportimi i zotit Zahir Tanin, i cili është raportimi i fundit i tij si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm, mund të themi që nuk e theksoi realitetin, por ishte i njëanshëm”, thotë Miftaraj.

Miftaraj vlerëson se në raportimin e tij të fundit në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka dalë jashtë kornizave dhe praktikave që, sipas tij, ky mision ka aplikuar në raportim, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Pavarësisht mënyrës se si raporton UNMIK-u për situatën në Kosovë, ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri mendon se Kosova duhet të angazhohet më shumë në aspektin diplomatik sa i takon kërkesës për shfuqizim të Rezolutës 1244.

Këtë gjë, sipas saj, Kosova do të mund ta bënte duke shfrytëzuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

“Atë që dua të them është se është fuqia dhe ndikimi diplomatik i SHBA-së, i cili mund të bëjë që të anulohet Rezoluta 1244 nga Këshilli i Sigurimit sepse ajo është baza legale e funksionimit të UNMIK-ut aktual. Natyrisht edhe Kosova mund të zhvillojë diplomaci në këtë drejtim”, thotë Tahiri.

Çfarë ishte dhe çfarë ka mbetur nga UNMIK-u?

Misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, u vendos në Kosovë për herë të parë në qershor të vitit 1999.

Ky mision kishte për qëllim që të shërbente si prezencë ndërkombëtare civile dhe ushtarake pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

OKB-ja e kishte sjellë këtë mision që të ndihmonte në rindërtimin e institucioneve të Kosovës, pasi gjatë luftës sistemi gjyqësor në Kosovë ishte “rrënuar” dhe kishte “nevojë urgjente për të ndërtuar sundim të vërtetë të ligjit, duke përfshirë edhe përmes rindërtimit të menjëhershëm të një gjyqësori të pavarur, të paanshëm dhe shumetnik.”

UNMIK-u pësoi një ristrukturim të thellë në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë dhe në Kosovë arriti një mision tjetër ndërkombëtar, misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), të cilit iu bartën kompetencat që mbante UNMIK-u.

Aktualisht, UNMIK-u ka prani shumë të kufizuar në Kosovë.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, SHBA-ja përsëriti kërkesën për mbyllje të këtij misioni.

Zgjedhjet lokale në Kosovë; më shumë se gjysma e komunave shkojnë në balotazh

VOA

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve komunale të së dielës në Kosovë, tregojnë se në 21 nga 38 komunat e vendit do të ketë një raund të ri zgjedhjesh, meqë asnjëri nga kandidatët nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në raundin e parë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 42.5 për qind e rreth 1 milion e 890 mijë votuesve të regjistruar, shfrytëzuan të drejtën e tyre për të votuar. Zyrtarët e këtij komisioni thanë se nuk ka pasur vështirësi në rrjedhën e procesit.

Konkurrenca më e fuqishme është zhvilluar në qytetet më të mëdha përfshirë Prishtinën, ku Lëvizja Vetëvendosje do të përballet në raundin e dyte me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e së dielës është vendosur edhe për deputetët e kuvendeve komunale.

Fitore Pacolli, nga lëvizja Vetëvendosje, tha se kjo lëvizje do të fitojë në qytetet e mëdha të Kosovës.

Rezultatet finale do të qartësojnë fuqishëm rritjen e paprecedentë të lëvizjes Vetëvendosje në raport me zgjedhjet e fundit për nivelin lokal, ku numri përfundimtar pritet të dyfishohet”, tha zonja Pacolli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha tha se subjekti i tij tashmë ka fituar në pesë komuna në raundin e parë ndërsa është në garë edhe në shtatë komuna të tjera.

Në këto zgjedhje, qytetarët kanë thyer barrierat politike dhe kanë përkrahur kandidatët dhe programin që ka adresuar nevojat e tyre. E natyrisht, PDK-ja është e para këtu. Qytetarët treguan se asnjë propagandë, asnjë manipulim populist, nuk mund ta mposhtë të vërtetën dhe të mirën. Sot, qytetarët treguan edhe një gjë, pakënaqësinë e madhe të tyre me punën e qeverisë së Albin Kurtit, qysh në tetë muajt e parë të kësaj qeverie”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij kryeson, ose është në garë në 11 komuna të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si një natë e datë të rikthimit të madh, e paralajmëruar që disa kohë. Ky rikthim për secilin nga ne është arritje, por mbi të gjitha, është përgjegjësi të cilën duhet ta ushtrojmë me plotë kujdes”, tha zoti Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se subjekti i tij ka fituar në gjashtë komuna, ndërsa në një tjetër do të garojë në raundin e dytë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje ka shënuar një fitore, ku në gjashtë komuna jemi fituese, në Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Junik dhe Deçan, ndërsa në Istog jemi në balotazh. Pra është vërejtur rritje e votës në disa komuna”, tha ai.

Lista serbe ndërkaq shpalli fitoren në të dhjetë komunat e Kosovës që janë të banuara me shumicë serbe.

Mbi 25 mijë vëzhgues të vendit por edhe ndërkombëtarë ndoqën procesin. Rreth 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian qenë shpërndarë gjithandej Kosovës.

Rreth 100 prokurorë e gjykatës të Kosovës ishin përshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj çdo përpjekjeje për keqpërdorimin e votës, ndërsa policia e Kosovës u kujdes për të siguruar një proces të qetë.

Nëpërmjet një komunikate, Prokuroria e Shtetit bëri të ditur se ka ndaluar 13 persona për veprat penale “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve, pengim të procesit të votimit, dhënie apo marrje të ryshfetit, cenim të fshehtësisë së votimit dhe falsifikim i rezultateve të zgjedhjeve”.

Zgjedhjet për pushtetin lokal u mbajtën tetë muaj pas atyre të përgjithshme ku lëvizja Vetëvendosje doli fituese me mbi 50 për qind të votave. Prandaj, zgjedhjet e së dielës janë parë si një sprovë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe lëvizjen e tij.

Sveçla: Në aksion u lënduan tetë policë, ftoj organet t’i gjejnë sulmuesit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se aksioni i sotëm në katër rajone në Kosovë ka përfunduar me sukses. Ai tha se ky aksion është zhvilluar në vazhdën e angazhimit në luftën kundër kontrabandës, teksa shtoi se nuk është bërë kundër qytetarëve të caktuar apo lokacioneve të caktuara, shkruan Gazeta Express.

“Aksioni i sotëm në katër rajone rezultoi i suksesshëm me konfiskimin e mallrave dhe me arrestimin e personave të përfshirë në kontrabandimin e  tyre. Ky aksion është në vazhdën e angazhimit tonë në luftën serioze kundër krimit të organizuar në tërë territorin  e Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar ndaj qytetarëve dhe lokacioneve të caktuara. MPB dhe agjncitë e saj ekzuktive nuk do të lejojnë në asnjë moment që askush të e minojë rendin dhe sigurinë publike në asnjë cep të Kosovës. Të gjithë personat pavarësisht etnisë politike, etnie apo religjioni do të përballen me forcën e ligjit”, tha ai.

Ministri konfirmoi se në këtë aksion të lënduar kanë mbetur tetë zyrtarë policorë.

“Tani kemi tetë zyrtarë policor të lënduar në këtë aksion. Unë këtyre u uroj shërbim të shpejtë dhe kthim në detyrë dhe ftojë autoritetet përgjegjëse që kryesit e sulmit ndaj personave zyrtar të silletn para drejtësisë”, deklaroi ai.

Sveçla foli edhe për sulmin ndaj gazetarëve që po raportin nga veriu.

“Edhe gazetarët ishin sot dëshmitarë por edhe viktima të strukturave të shfrenuara atje që tashmë janë të patolerushme”, tha më tutje ministri. /Express/

Qeveria e Kosovës harton rrugën procesit të vettingut në drejtësi

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën (13 tetor) ka miratuar koncept dokumentin për vetting-un në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se vendin më së shumti e ka dëmtuar mungesa e drejtësisë dhe se “lirinë e fituar duhet ta institucionalizojmë përmes drejtësisë”.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

“Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje”, tha Kurti.

“Në mënyrë që sistemi gjyqësor dhe prokuruorial të veprojë drejt është e nevojshme që në të gjitha nivelet të ketë njerëz profesional dhe me integritet”, shtoi Kurti.

Sipas tij vetting-u do të tregojë gjendjen aktuale brenda sistemit gjyqësor në kuptim të kapaciteteve profesionale pastaj edhe etikës së punës së dhe integritetit të akterëve të gjyqësorit në përgjithësi.

“Vetting-u do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur nga gjyqtarë dhe jogjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe Presidenca me prani të ndërkombëtarëve”, tha Kurti.

Ky mekanizëm, sipas tij, do të operojë me ndihmë të sekretariatit për çështje logjistike kurse në shkallë të dytë do të veprojë Kolegji për Apel.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se procesi i vetting-ut do të bëhet përmes një periudhe optimale 5-vjeçare.

“Mekanizmi i pavarur do të ketë mandatin e tij në verifikimin e integritetit personal të subjekteve për vlerësimin e performancës, profesionalizmit dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Haxhiu duke premtuar se i gjithë procesi do të jetë i drejt, profesional, i pavarur dhe efektiv.

Për realizimin e këtij procesi, kryeministri Kurti tha se ekzistojnë dy propozime, njëri përmes amandamentimit të Kushtetutës në mënyrë që pastaj të miratohen ligjet adekuate, mirëpo, sipas tij, procesi mund të bëhet edhe përmes amandamentimit të ligjeve ekzistuese.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë, se ky grup avokon që procesi i vetting-ut të bëhet përmes kalimit të një amendamenti kushtetues në Kuvendin e Kosovës, sepse kjo do të mundësonte një proces të plotë dhe të thelluar të verifikimit.

“Mënyra e dytë, do të ishte vetëm përmes ndryshimit të Ligjit për procedurën disiplinore, i cili do të shfuqizohej në legjislacionin ekzistues, ashtu që vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve të garantohet si proces i vazhdueshëm dhe i fortë disiplinor. Mirëpo, kjo nuk do ta kishte ecurinë e njëjtë sikur një gjë e tillë të realizohej me një amendament kushtetues”, pati thënë Hoxha.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, pati thënë se procesi i vetting-ut, nëse synohet që të bëhet në bazë të asaj që përcaktojnë standardet ndërkombëtare që garantojnë sigurinë juridike, lejohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Për amendamentimin e Kushtetutës është e domosdoshme shumica parlamentare ose dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët ka shfaqur dyshime lidhur me një konsensus të mundshëm parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës lidhur me vetting-un.

“Pra brenga ime në këtë drejtim, është nëse nuk kalon amendamenti kushtetues, ndonëse konsensusi paraprak në këtë proces është shumë i rëndësishëm”, pati theksuar Haxhiu.

Operatori kabllor nga Serbia zgjerohet pa leje në jug të Ibrit

NJë operator serb në Kosovë, ka hequr nga programet televizionin N1, që kosnderohet se ka qëndrim kritik ndaj autoriteteve në Serbi. Fotografi ilustruese.

Sandra Cvetkoviq

Programi i televizionit N1, që është një nga programet e rralla televizive me qëndrim kritik ndaj autoriteteve në Serbi – në pronësi të The United Group – nuk mund të shihet më në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Kjo është pasojë e transaksionit të kryer nga MTS, një degë e Telekomit të Serbisë, që cila bleu të gjithë operatorët kabllorë që mbulonin komunat e banuara me serbë në jug të lumit Ibër.

Transaksioni u konfirmua më 7 tetor nga drejtori i Përgjithshëm i Telekomit të Serbisë, Vlladimir Lluçiq. Ai deklaroi për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug” se MTS d.o.o., një degë e Telekomit të Serbisë, mori përsipër “të gjithë operatorët kabllorë në mjediset serbe në Kosovë”.

MTS d.o.o. është kompani e themeluar në vitin 2015, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë. Në krye të kësaj kompanie janë kryesisht njerëzit që janë të afërt me pushtetin aktual në Serbi, ndërkaq që Telekomi i Serbisë është themelues, me pjesëmarrje prej 100 për qind.

Pas blerjes, në vitin 2019 të të gjithë operatorëve kryesorë në veri të Kosovës, ku jeton popullata shumicë serbe, e njëjta gjë tashmë është bërë me operatorët kabllorë që operojnë në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër.

Por Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) pretendon se MTS nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset me shumicë serbe në Kosovë dhe shton se kërkesa e fundit e operatorit Herc, për të transferuar kompetencat e saj në kompaninë MTS, nuk është miratuar.

A është MTS d.o.o operatori i vetëm?

Herc, që është një nga operatorët kabllor më të mëdhenj në anën jugore të lumit Ibër, javën e kaluar ia ka dorëzuar biznesin e saj kompanisë MTS d.o.o, e cila, përveç N1, e hoqi menjëherë nga oferta kanalin Nova S, i cili gjithashtu është në pronësi të The United Group.

Megjithatë, ky kanal i dytë, ndërkohë është kthyer dhe është i qasshëm për shikuesit në pjesën qendrore të Kosovës.

Në kompaninë Herc nuk kanë dashur që të japin kurrfarë deklarate për Radion Evropa e Lirë, me shpjegimin se “MTS d.o.o. tani është përgjegjës për të gjitha deklaratat”, edhe pse vetëm pak ditë më parë ata i thanë Radiotelevizionit lokal KIM-it nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, se kanalet N1 dhe Nova S ishin përjashtuar nga oferta për “shkaqe teknike”.

Radio Evropa e Lirë më pas i është drejtuar Zoran Millojeviqit, i cili, deri para disa muaj, ishte drejtor i degës së kompanisë së Telekomit në Mitrovicën e Veriut, por ai tha se nuk kishte të bënte me kompaninë e përmendur dhe tha se drejtor është Dejan Ognjenoviq.

Ognjenoviq, nga ana tjetër, nuk donte t’u përgjigjej pyetjeve të Radios Evropa e Lirë përmes telefonit, por kërkoi që pyetjet t’i parashtrohen me shkrim.

Radio Evropa e Lirë i ka dërguar Ognjenoviqit pyetjet me shkrim, por përgjigjet në pyetjet “nëse MTS d.o.o. është operatori i vetëm në mjediset me shumicë serbe në Kosovë” dhe “pse N1 u përjashtua nga oferta televizive”, nuk kanë arritur deri në publikimin e këtij teksti.

A është dhënë një leje?

Komisioni i Pavarur i Mediave i Kosovës (KPM) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se disa muaj më parë ajo mori një kërkesë nga operatori “BB Herc” me seli në Shtërpcë, komunë kjo e banuar me shumicë serbe, për t’i transferuar pronësinë e saj operatorit MTS d.o.o, por ky komision ka theksuar që ajo “kërkesë u refuzua për shkak të dokumentacionit jo të plotë”.

Komisioni i Pavarur për Media pohon se MTS d.o.o. nuk është operatori i vetëm që operon në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por se ekzistojnë edhe katër operatorë të tjerë të licencuar.

Nga ky komision theksojnë se Rregullorja për shpërndarjen e shërbimeve të mediave audio dhe audio-vizuale, përcakton që operatorët, pa kompensim, duhet t’i transmetojnë kanalet e shërbimeve publike, si dhe kanalet e tjera komerciale me transmetim tokësor, të cilat kanë statusin e transmetimit të detyrueshëm.

“Ofruesit e shërbimeve të mediave audio-vizuale me transmetim tokësor lokal dhe rajonal gëzojnë statusin e transmetimit të detyrueshëm përmes të gjithë operatorëve të shpërndarjes që veprojnë në atë komunë ose rajonin përkatës”, thotë nga KPM-ja.

Kush qëndron pas kompanisë MTS në Kosovë?

Kompania MTS d.o.o. u themelua në tetor të vitit 2015, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacionin. Selia e kompanisë është në Mitrovicën e Veriut dhe deri vonë, kreu i kësaj kompanie ishte Zoran Millojeviq – Zelja, përndryshe zyrtar në Partinë Progresive Serbe (SNS), në krye të së cilës është presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Millojeviq më herët ka qenë i angazhuar në Zyrën për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.

Pas marrjes së të gjithë operatorëve kryesorë kabllorë në veri të Kosovës, kompania MTS d.o.o. është zgjeruar muajt e fundit në mjediset e banuara me shumicë serbe, në gjashtë komuna, në anën jugore të lumit Ibër.

Komenti nga N1

Igor Bozhiq, drejtor i televizionit N1 për Serbinë, vlerëson se “blerja e operatorëve të vegjël në mjediset e banuara me serbë në Kosovë nga filiali i MTS-së është një lloj zbatimi i politikës së Telekomit shtetëror në Serbi”.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ai thekson që se kjo kompani ka punuar për më shumë se dy vjet për të shtypur dukshmërinë në Serbi, “ndërkaq tani këtë e shohim edhe në Kosovë”.

Igor Bozhiq.

Igor Bozhiq.

Bozhiq sqaron se operatorët serbë në Kosovë kanë pasur mundësinë që të transmetojnë televizionin N1, ndonëse ata vet nuk kanë pasur ndonjë marrëveshje konkrete.

Deri dy vjet më parë, në bazë të detyrimeve kontraktuese, N1 transmetohej përmes operatorit të madh kabllor të pavarur “Copernicus”, i cili më pas është blerë nga kompania Telekomi i Serbisë.

“Kur ata i blenë ata operatorë, në fakt kanë pritur që të skadonte kontrata dhe më pas anuluan programin tonë. Në Serbi, ata praktikisht po zvogëlojnë shikueshmërinë tonë në rreth 300,000 familje, aq sa në atë kohë mund të shiheshin nga familjet, përmes atyre dy operatorëve që ishin blerë ”, thotë Bozhiq.

Ai më tej sqaron që Telekomi ofroi të transmetonte televizionin N1 falas “që është në kundërshtim me biznesin kabllor që ekziston në Serbi”.

“Ishte e qartë se pronarët e kanalit tonë nuk mund të jepnin falas dhe u ofrua çmimi minimal për N1, por Telekomi refuzoi”, thotë Bozhiq.

A ka raste të ngjashme?

Vetëm rreth dy vjet më parë, RTV MIR (RTV Paqja) nga Leposaviqi, në veri të Kosovës, u shkëput nga sistemi kabllor, pasi filiali i kompanisë MTS d.o.o. bleu rrjetet më të mëdha kabllore në atë pjesë të vendit (VGN, Impuls dhe SAT).

Pastaj, këtij televizion lokal, i cili konsiderohet si i pavarur, iu shkyç dhe interneti, kështu që iu pamundësua transmetimi i programeve.

Më pas, RTV MIR ngriti padi ndaj MTS d.o.o. dhe në fund të dy palët ranë dakord për gjithçka. RTV MIR u tërhoq nga padia dhe dëmshpërblimet, ndërkaq MTS d.o.o. e ka kthyer këtë kanal në ofertën e tij.

“Unë nuk do të kërkoj më asgjë në lidhje me kompensimin e dëmeve. Ata e zbatuan atë që morën si vendim dhe e kthyen RTV MIR në kuadër”, thotë drejtori i televizionit MIR, Nenad Radosavleviq.

Ai edhe më tej pretendon që arsyeja fillestare për shkëputjen e RTV MIR nga sistemi kabllor ishte i një natyre politike, ndonëse, më pas, shkëputjen ia arsyetuan si “konsolidim të operatorëve kabllorë”.

“Ata operatorë kabllorë u blenë dhe pastaj ata duhet të bashkoheshin, ky ishte shpjegimi i tyre. Megjithatë, disa televizione lokale, si TV Most, nuk u shkyçën”, thotë Radosavleviq dhe sërish pohon se në fakt, kjo kishte ndodhur “për arsye politike, sepse MIR është një televizion i pavarur, i cili në mënyrë të barabartë i dha hapësirë opozitës dhe pushtetit”.

“Unë me këtë arsyetim u përfaqësova edhe në gjykatë, por ja që erdhi deri te ndryshimi i qëndrimeve dhe në fund erdhëm deri te marrëveshja e përbashkët”, thekson ai.

Nga Komisioni i Pavarur i Mediave thonë për Radion Evropa e Lirë se janë të njohur me rastin e RTV MIR dhe shtojnë se ky televizion ka të drejtën e transmetimit tokësor, në kategorinë rajonale dhe se të gjithë operatorët e licencuar që veprojnë në rajon duhet ta përfshijnë atë në paketën e tyre të kanaleve, sepse e “gëzon statusin e transmetimit të detyrueshëm”.

Ata deklarojnë se KPM -ja mbajti bisedime me palët e përmendura për të zgjidhur problemin dhe se më 6 gusht 2021, u informuan se ishin kthyer në listën e kanaleve dhe se “problemi ishte zgjidhur”.

Drejtori i RTV KIM nga Çagllavica, në afërsi të Prishtinës, Isak Vorguçiq, konsideron se nuk është problem që në periudhën e ardhshme mund të ketë vetëm një operator kabllor, por thekson që “nuk do të ishte mirë të keqpërdoret ai status dhe që ai operator të përcaktojnë kush shkon përmes kabllorit dhe kush jo”.

Megjithatë, ai konsideron që probleme të tilla nuk do të ndodhin, sepse RTV KIM duhet të transmetohet nga të gjithë shpërndarësit kabllorë.

“Me sa di unë dhe me aq sa kam informacione, gjithçka që ka të bëjë me televizionin KIM dhe pronarët e rinj, do të mbetet e njëjtë, siç ka qenë deri më tani”, thotë Vorguçiq.

Sa media në gjuhën serbe ka në Kosovë?

Në Kosovë ekziston kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës (RTK2), i cili funksionon në kuadër të Shërbyesit Publik dhe që transmeton program në gjuhën serbe gjatë gjithë ditës.

Gjithashtu, brenda Shërbyesit Publik funksionon Radio Kosova, ku një program dy orësh në gjuhën serbe transmetohet çdo ditë, në valët e një kanali tjetër të kësaj radioje.

Përveç Shërbyesit Publik, ka edhe kanale televizive dhe radio stacione lokale, si dhe portale, të cilat kryesisht janë krijuar me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, me qëllim të informimit të komunitetit serb.

Ekziston edhe ndërmarrja publike “MrezhaMost” Beograd (Rrjeti Ura), e themeluar me vendim të Qeverisë së Serbisë në vitin 2010, në kuadër të së cilës në hapësirën e Kosovës funksionojnë gjashtë media, tri televizione dhe tri radio stacione: TV Most nga Zveçani, Radio dhe TV Puls nga Shillova, Radio Mitrovica e Kosovës dhe Radio TV Graçanica.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Bylykbashi: Basha harrohet shpejt, Berisha është i pazëvendësueshëm

Deputeti Oerd Bylykbashi është një nga anëtarët e grupit parlamentar të PD-së që është rreshtuar hapur në krahun e Sali Berishës në çarjen që ka pësuar e djathta, pasi Lulzim Basha përjashtoi ish-kryeministrin. E ndërsa lideri demokrat i hoqi drejtimin e reformave zgjedhore duke e zëvendësuar me Enkelejd Alibajn, a i trembet Bylykbashi ndonjë lëvizje tjetër?

“Askush nuk më nxjerr dot mua nga PD, as nga grupi parlamentar, pasi një kryetar nuk e ka të drejtë për të marrë këto vendime, ajo që e zgjidh këtë punë është kutia e votimit” tha ai. Ai shtoi se: “Ne do të jemi aty, ne jemi të gjithë në PD” tha ai në “LOG”.

Përpos vendimit për përjashtimin e Sali Berishës, Bylykbashi kishte edhe një tjetër kritikë për Lulzim Bashën. “Ne kemi të gjithë ekzekutivin e partisë në kundërshtim me statutin” tha ai.

Por duke mbajtur krahun e ish-kryeministrit, a mendon Bylykbashi se do të etiketohet si anti-amerikan?  “Unë kam raporte shumë të mira me ta (SHBA). Ne kemi diskutuar, kjo është një çështje, debati me demokracinë brenda partisë. Janë goxha të vëmendshëm në këtë aspekt. E vetmja që do ta zgjidhë në mënyrë të paqtë është kutia e votimit”.

Më shumë se pozicionim në krah të Berishës, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi shfaqen në “Foltoren” e tij në Durrës, e konsideroi të domosdoshme për të dëgjuar prej tij shpjegimin pse gjërat në PD kanë ardhur deri në këtë pikë. Ai deklaroi se Berisha nuk ka marrë kurrë një vendim për të mos hyrë në zgjedhje apo për të djegur mandatet.

“Për 6 vite me atë në zyrë. Sali Berisha sa e kam parë unë nuk e pashë kurrë të merrte një vendim për të mos hyrë në zgjedhje apo për të djegur mandate. Kam parë shumë detaje të këtij lloj. Kam dëgjuar të thotë që ky vendim mund të na çojë edhe në sukses, edhe në katastrofë. Kam pasur mundësinë për të lexuar mesazhet që është shumë e lehtë, por nuk më ka rezultuar ashtu. Edhe në Foltoren e Durrësit isha aty për të dëgjuar atë pse zoti Berisha na e ka borxh të gjithëve pse gjërat erdhën deri këtu. Është barra e tij për ta shpjeguar këtë gjë. Unë kam diskutuar edhe me zotin Berisha për këtë”, deklaroi ai.

Bylykbashi u shpreh se PD duhet të kërkonte transparencën e fakteve në lidhje me shpalljen non grata të Sali Berishës. Sipas tij në rast se nga partia do largohej Berisha, kjo do ishte me pasoja të mëdha, ndërsa çdo person tjetër mund të zëvendësohet.

“Unë besoj që PD bënte mirë ashtu si e kam dëgjuar zotin Basha të thotë, që të kërkojë transparencën e fakteve. Ta mbrojë zotin Berisha si trashëgimi politike. Është çështja e zotit Berisha që ai duhet t’i dalë përpara. Unë nuk e di sa do funksionojë, dhe çfarë juridiksioni ka ajo gjykatë ku është drejtuar zoti Berisha. Por unë e shoh në aspektin politik. Unë jam politikan që me gjithë kontributin modest në PD, ajo që më dhemb është PD së pari. Në rastin e ikjes së zotit Berisha pasoja është më madhja. Ndërsa për këdo tjetër nga Lulzim Basha deri te të tjerët ne do zëvendësohemi, harrohemi.

Unë jam për atë, së pari, partitë duhet të jenë parti me funksionim demokratik. 30 vite pasi ra komunizmit, unë besoj që nuk do i isha bashkuar PD në rast se gjatë eksperiencës time në kabinet nuk do kisha perceptuar hapësira të mjaftueshme. Nëse ajo është përkeqësuar në këto vite,  Berisha ka përgjegjësi. Unë jam në krah të demokracisë. Këtë e ofron zbatimi i statutit. Ne kemi problem moszbatimin e statutit. Kemi një problem demokracie brenda partisë. Nuk më duket që vjen nga Berisha, por edhe ai është aty. Lëvizja e zotit Kadilli tregon disa grupime. Vendimi i fundit i Bashës ka çuar në çarje të partisë”, u shpreh Bylykbashi.

Goran Stanishiq dënohet me 20 vjet burgim për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë

Goran Stanishiq është dënuar me 20 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi u gjet fajtor për vrasjen e 13 civilëve në Sllovi të Lipjanit gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të martën nga kryetari i turpit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.

Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi/

Studentja nga shteti joekzistent – Nga Krenare Cubolli

Donika Elshani, në ditën e përfundimit të studimeve të saj në Universitetin Leiden në Holandë.

Donika Elshani, në të 20-at e saj, i ka përfunduar studimet master për Menaxhim të Krizave dhe Sigurisë në Universitetin Leiden në Holandë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, ajo i ka nisur dhe i ka përfunduar studimet në versionin online nga Prishtina, pa u takuar asnjëherë fizikisht me kolegët dhe profesorët e saj.

Ndërkohë që ka nisur përgatitjet për të shkuar në Hagë, për ceremoninë e diplomimit, një email që ka marrë nga fakulteti i ka nxjerrë një angazhim të ri.

Në të, Elshanit i është thënë se vendi i lindjes – që do t’i paraqitet në diplomë – nuk do të jetë “Prizren, Kosova”, por “Prizren, Republika Federale e Jugosllavisë”.

Fillimisht kjo gjë asaj i është dukur e çuditshme, pasi kur ka përfunduar studimet në nivelin bachelor, po ashtu në Holandë – ndonëse në tjetër universitet – vendlindja nuk i ka figuruar në diplomë, dhe rrjedhimisht nuk është përballur me diçka të tillë.

E habitur nga njoftimi i universitetit, ajo më pas i është drejtuar Komunës së Amsterdamit për ta ndryshuar vendlindjen nga Jugosllavi në Kosovë.

“Kam nxjerrë certifikatën e lindjes në Kosovë dhe bashkë me pjesën tjetër të dokumentacionit i kam dërguar me postë në departamentin e Komunës së Amsterdamit, i cili merret me ndryshimin e informatave të personave që janë të regjistruar aty. Ata më pas më kanë njoftuar që duhet të presë katër javë për përgjigje”, ka thënë Elshani.

Yllka Geci, konsulle në Ambasadën e Kosovës në Hagë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se jo vetëm për studentët, por edhe për të gjithë qytetarët e ish-Jugosllavisë, që jetojnë në Holandë, vlen vendimi i njëjtë.

“Pas vitit 2008, çdo dokument që lëshohet nga shteti holandez e ka emrin e Kosovës në të sepse autoritetet e njohin shtetësinë e Kosovës nga viti 2008. Më herët ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne kemi bërë përpjekje, kemi pasur takime të vazhdueshme këtu me komunën. Zakonisht problemi më i madh ka qenë nëpër banka, nëpër spitale, sepse është e cekur ish-Jugosllavia”, ka deklaruar Geci.

Pse ndodh kjo ?

Zyrtarë të Ambasadës së Kosovës në Holandë, përfshirë edhe ambasadorin janë marrë me këtë çështje, por nuk kanë arritur të ndryshojnë diçka, sipas Gecit.

“Kemi pasur takime të ndryshme me zyrtarë të Holandës, por tani për tani situata është kjo”, është shprehur Geci.

Certifikatë e lindjes, e lëshuar nga autoritetet holandeze për një person që ka lindur në Prishtinë, por vendlindja i paraqitet si Jugosllavi, meqë ai/ajo ka lindur më 1996.

Komuna e Amsterdamit ka treguar për Radion Evropa e Lirë se momenti i lindjes e përcakton shtetin e lindjes.

Marloe Boon nga Zyra për Media në këtë komunë, ka thënë në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë se ky rregull vlen edhe nëse emri i shtetit ndryshon më vonë.

“Kjo gjë nuk vlen vetëm për ish-Jugosllavinë, por edhe për shtetet si Bashkimi Sovjetik, zona kufitare mes Polonisë dhe Gjermanisë dhe ish-kolonitë holandeze”, ka deklaruar ajo.

E pyetur nëse mund të ndryshojë kjo e dhënë, nëse bëhet kërkesë personalisht, përgjigja ka qenë negative.

“Kjo nuk mund të ndryshohet. Një person lind në shtetin që është krijuar në datën e lindjes. Prandaj, sistemet e çështjeve civile gjithashtu funksionojnë duke u bazuar në datën e nisjes së një shteti dhe datën e ekzekutimit. Kjo gjë e bën teknikisht të pamundshme që të bartet data e krijimit të një shteti që nuk ka ekzistuar në datën e lindjes së një personi”, ka sqaruar mes tjerash Boon.

Por vende tjera të Bashkimit Evropian, shembull Suedia mundësojnë ndryshimet.

Agjencia e Taksave në Suedi, që merret me çështje të ngjashme të regjistrimit të të dhënave, përmend në faqen e saj zyrtare se për hir të parimit, vendi i lindjes duhet të regjistrohet siç është quajtur në kohën e lindjes së personit, edhe nëse emri i shteti ka ndryshuar më vonë për shkak të arsyeve administrative, politike, linguistike apo arsye tjera.

“E njëjta gjë vlen edhe nëse shteti më nuk ekziston, shembull Gjermania Lindore apo Jugosllavia”.

Megjithatë, kjo agjenci ka thënë se i merr parasysh kërkesat kur për një person është tejet e rëndësishme që të jetë i regjistruar me emrin e ri të një shteti.

“Shembull, një person i lindur më 1963 në Kiev, Bashkimi Sovjetik, me kërkesën e tij mund ta regjistrojë vendin e lindjes si Kiev, Ukrainë”, është thënë në faqen zyrtare të Agjencisë së Taksave të Suedisë.

Në mars të këtij viti, komuniteti suedezo-shqiptar në Facebook, ka publikuar një njoftim që flet pikërisht për këtë çështje.

Sipas njoftimit, personat që kanë lindur në Kosovë dhe kanë emrin e Jugosllavisë në dokumente, tani mund ta ndryshojnë këtë gjë.

“Në mënyrë që të bëni këtë ndryshim, ju duhet të kontaktoni Agjencinë e Taksave në Suedi personalisht, apo përmes emailit, dhe të dërgoni të dhënat personale, duke treguar se dëshironi të ndryshoni shtetin e lindjes nga Jugosllavi në Kosovë, ta përmendni se Jugosllavia nuk ekziston më dhe të tregoni se kjo gjë ka shumë rëndësi për ju”, thuhet në njoftimin në Facebook.

Cili do të jetë epilogu i diplomës?

Donika Elshani, e cila ka vendosur të kontribuojë në Kosovë pas përfundimit të studimeve në Holandë, e konsideron kapitull të ri kthimin në vendlindje dhe sigurimin e një vendi të punës.

Megjithatë, punën e emrit të vendlindjes në diplomë, tha se nuk do ta lë pas krahëve.

“Jam duke menduar që të mos ndalem këtu, sepse po më duket shumë absurde që unë të marr një dokument, një diplomë, dhe aty të figurojë një shtet, një entitet që nuk ekziston tash e sa kohë”, ka deklaruar ajo.

Kontrata me gazsjellësin, Kurti: Nuk e kemi refuzuar projektin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur rreth projektit amerikan të gazsjellësit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Kurti u shpreh se informacionet që kanë dalë në media, nuk kanë të bëjnë me refuzimin e projektit, teksa konfirmoi se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka deklaruar Kurti.

Kosovë, për gjashtë muaj “shkatërrohen” 26 grupe kriminale

“Brenda periudhës gjashtë mujore u shkatërruan diku 26 grupe kriminale, të cilat përfshinin rreth 217 persona”, tha Tela

Agim Sulaj   |04.10.2021
Prishtinë

Në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL me temë diskutimi “rishikimi dhe zbatimi i Planit të Punës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për periudhën mars -shtator 2021″ u tha se prioritet është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, raporton Anadolu Agency (AA).

Jeta Tela, drejtoresha e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e cila mori pjesë në tryezë, tha se për qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë prioritet.

“Siç dihet, për qeverinë prioritetet kryesore janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe zhvillimi socio-ekonomik. Sigurisht, pjesa që lidhet me krimin dhe korrupsionin është fusha që mbulohet më së shumti nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kjo është përparësia jonë e parë”, tha Tela.

Ajo vlerësoi se në gjashtë muajt e parë të kësaj qeverie është bërë shumë më tepër sesa në periudhën e mëparshme.

“Brenda periudhës gjashtë mujore u shkatërruan diku 26 grupe kriminale, të cilat përfshinin rreth 217 persona, mes tyre shqiptarë dhe serbë, shtetas të Serbisë, shtetas të Shqipërisë dhe shtetas të Maqedonisë së Veriut, por pjesa më e madhe e tyre prej tyre janë shqiptarë të Kosovës” tha Tela.

Ajo shtoi se në mesin e këtyre grupeve ka dhjetë grupe të krimit të organizuar, tetë grupe që merren me drogë, gjashtë për krim ekonomik dhe ka gjithashtu grupe që merren me trafikimin e qenieve njerëzore, keqpërdorimin e detyrës zyrtare, luftën e migrimit ilegal dhe të tjera.

Tela theksoi se disa ditë më parë u arrestuan 10 persona që merreshin me trafikim emigrantësh dhe mbi 100 persona të tjerë që tentuan të largoheshin ilegalisht nga vendi.

Modernizimi i administratës publike është një nga synimet e kësaj ministrie, e cila, siç tha Tela, është aktualisht e stërmbushur me punëtorë sado që ata janë profesionistë.

Tela gjithashtu theksoi se pranimi i Kosovës në INTERPOL është çështje e votave politike dhe jo mungesë e përgatitjes së Policisë së Kosovës, kështu që aplikimi për pranim në këtë është shtyrë për vitin e ardhshëm.

Ajo tha se dy javë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi dy marrëveshje të reja me EUROPOL-in, një për emërimin e një personi kontaktues të Kosovës në EUROPOL dhe një për shkëmbimin e informacioneve.

Vozitësit me targa serbe pa letra ngjitëse do të gjobiten pas 8 tetorit

Bekim Bislimi

Deri më 8 tetor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë dhe që qarkullojnë brenda territorit të Kosovës, duhet të pajisen me letrat ngjitëse (stickers) të cilat duhet të vendosen mbi simbolet shtetërore në targat e tyre, kanë deklaruar zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë thotë se që nga 8 tetori, automjetet që kanë targa të Serbisë dhe mbi simbolet e të cilave nuk janë vendosur letrat ngjitëse, do të sanksionohen sipas ligjit.

“Në raste të tilla, prej të premtes, prej datës 8 tetor, kushdo që zihet brenda territorit të Kosovës pa stickers (letra ngjitëse), atëherë do të gjobitet në bazë të Ligjit për trafik”, thekson Tela.

Megjithatë, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe as Policia e Kosovës nuk e kanë bërë të ditur sesa do të jetë shuma monetare e gjobës ndaj vozitësve që qarkullojnë me targa të Serbisë dhe pa letra ngjitëse.

Më 30 shtator, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë në dialogun në Bruksel, janë pajtuar që automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territorin e njëra-tjetrës, të vendosin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të vendit përkatës në targat e automjeteve.

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka nisur më 4 tetor dhe në vendkalimet kufitare, të dyja palët kanë nisur t’i pajisin automjetet e vendeve përkatëse me letra ngjitëse për targat e tyre.

Hutimi i qytetarëve për letrat ngjitëse për targat?

Fillimi i zbatimit të marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u arrit më 30 shtator, për disa qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë automjete me targa të Serbisë, ka shkaktuar huti. Ata nuk e dinë se ku mund të pajisen me letra ngjitëse për targat e automjeteve të tyre përveç se në vendkalimet kufitare.

Millena, një qytetare serbe nga Graçanica, thotë se automjeti i saj bartë targa të Serbisë, ndërkohë që pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, që kishte nisur të zbatohej më 20 shtator, ajo kishte marrë targat e përkohshme, me të cilat qarkullon ende.

Në një bisedë me Radion Evropa e lirë, Millena thotë se ajo jeton në Kosovë dhe nuk ka dalë jashtë territorit të Kosovës në mënyrë që kur të hyjë në ndonjë vendkalim kufitare të marrë letrat ngjitëse për targat. Deri më tash, sipas saj, nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga autoritetet e Kosovës se ku duhet qytetarët që janë brenda Kosovës dhe që kanë automjete me targa të Serbisë, të pajisen me letrat ngjitëse.

“Thjesht, në jemi gjetur në situatën që në Kosovë jemi me targa të përkohshme dhe nuk e dimë se farë të bëjmë më tutje. Në fakt, unë me ato targa të përkohshme kam qarkulluar dhe kam ardhur në punë dhe nuk pata ndonjë problem edhe pse kishte policë në rrugë. Kam parë edhe automjete të tjera që qarkullojnë me targa të përkohshme. Por, pyetja është se çfarë të bëjmë tutje, sepse ende nuk kemi një informacion zyrtar se çfarë të bëjmë, a duhet të shkojmë në vendkalime kufitare të për t’i marrë letra ngjitëse apo kjo do të mundësohet në qendrat e regjistrimit, ashtu si ishte rasti edhe me targat e përkohshme”, thekson Millena.

Vetura me targa 'KM' në Mitrovicë të Veriut, pa letra ngjitëse. 4 tetor 2021.

Vetura me targa ‘KM’ në Mitrovicë të Veriut, pa letra ngjitëse. 4 tetor 2021.

Ajo shton se për të mbetet e paqartë edhe fakti se a vazhdojnë të vlejnë targat e përkohshme për 60 ditë, siç ishte paraparë me rastin e pajisjes me ato targa apo duhet hequr ato dhe në targat serbe të vendosen letrat ngjitëse.

Millosh, një qytetar serb nga Mitrovica e Veriut, thotë se automjetin e ka me targa të Serbisë, por së fundmi nuk ka kaluar përmes ndonjë vendkalimi kufitar, në mënyrë që të pajiset me letra ngjitëse për targat.

“Me sa po shoh, tashmë kanë nisur t’i vendosin letrat ngjitëse. Nuk e di se ku pajisen, por mendoj që në Qendrën për Regjistrim të Automjeteve”, thotë Milloshi.

Targat me letra ngjitëse
Fotogaleri

Targat me letra ngjitëse

Më 4 tetor, automjeteve me targa të Kosovës dhe ato të Serbisë po u vendosen letra ngjitëse, për të mbuluar simbolet shtetërore. Letrat ngjitëse janë pjesë e marrëveshjes së 30 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë, që ka për qëllim uljen e tensioneve mes dy vendeve, pasi Kosova vendosi masën e reciprocitetit për targat më 20 shtator. Marrëveshja e arritur në Bruksel ka vlefshmëri gjashtë muaj, pasi një Grup Punues do të mëtojë që ta zgjidhë çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Këshilltarja e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Jeta Tela sqaron se qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të Serbisë, mund të pajisen me letrat ngjitëse në dy mënyra.

“Furnizimi me stickers (letra ngjitëse) bëhet në të gjitha pikat kufitar, në 13 pika kufitare. Ndërkaq automjetet që janë brenda territorit të vendit me targa të Serbisë, mund të furnizohen me të gjitha qendrat ku bëhet regjistrimi i automjeteve”, thekson Tela.

Targat ‘KM’, me letra ngjitëse

Por, në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, të cilat janë të banuara me shumicë serbe, vazhdojnë të qarkullojnë automjetet të cilat janë regjistruar në Serbi dhe kanë targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, për shembull sikurse targat me akronimet ‘KM’ (Mitrovicë), ‘GL’ (Gjilan), ‘UR’ (Ferizaj), ‘PZ’ (Prizren), ‘PRÇ (Prishtinë).

Bojan, qytetar serb nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka ide nëse duhet të vendosë letra ngjitëse në targat e automjetit të tij, për shkak se e ka të regjistruar në Serbi dhe me targa ‘KM’, që janë akronime të qytetit të Mitrovicës.

“Nuk e di dhe aktualisht nuk jemi të informuar për sa u përket letrave ngjitëse. Mendoj që nuk do të duhej t’i vendos letrat ngjitëse, marrë parasysh që unë kam targa ‘KM’”, thotë ai.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar se targat me akronimet e qyteteve të Kosovës, të cilat lëshohen nga autoritetet në Serbi, janë jolegale dhe çështja e tyre do të trajtohet nga ekipin i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat.

Infografikë

Marrëveshja për targat mes Kosovës dhe Serbisë

Megjithatë, siç ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, më 4 tetor, edhe për këto targa do të vlejë rregulli i letrave ngjitëse.

“Për herë të parë kjo marrëveshje (e 30 shtatorit) i trajton këto targa si jolegale, si targa të një shteti që nuk e njohim dhe rrjedhimisht i mbulojmë me stickers (letra ngjitëse). Këto targa nuk mbulohen me stickers në Serbi, por në Kosovë dhe me marrëveshje për gjashtë muaj”, u shpreh Bislimi.

Marrëveshja e 30 shtatorit në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është arritur pas 11 ditësh pas bllokimit me kamionë dhe mjete të rënda të rrugëve që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokimi i rrugëve ishte bërë nga serbët lokalë, të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit me Serbinë për targat, e cila nisi të zbatohej më 20 shtator. Për zbatimin e kësaj mase, autoritetet e Kosovës dërguan në Jarinjë dhe Bërnjakë njësitë speciale të Policisë së Kosovës, për të siguruar zbatimin e kësaj mase nga zyrtarët e policisë kufitare dhe autoritetet doganore të vendosur në ato pika kufitare.

Kontribuoi: Maja Fiçoviq

Mos ti përserisim gabimet nga historia! Nga Skënder MULLIQI

Kan kaluar më shumë së 20 vite nga lufta.Shtrohet pyetja logjike , a ekziston mundësia që luftërat të mbësin mbrapa? Përgjigjen në këtë pyetje mund të parashikojmë .Kjo mund të bëhët kur Serbia e cila shkaktojë luftën të bëhët e sinqertë, e të pranojë së shkaktojë gjenocid mbi shqiptarët. Kjo nga ana e Serbisë nuk po ndodhë, sepse drejtuesit e shtetit serb, nuk janë liruar nga ultranacionalizmi, nuk janë liruar nga apetitet për ripushtimin e tokave shqiptare. Serbisë nuk po i dukët problem së regjimi i Millosheviqit ka vrarë aq shumë njerëz të pafajshem. Edhe presidenti actual në pushtet, Aleksander Vuçiqi , është duke e legjitimuar politikën ekspansioniste të tij. Më kërcënime të vazhdueshme që po i bënë ndaj Kosovës më luftë, po kthehet në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar.Serbët nuk po shkëputën nga mitët e rreme të tyre .Regjimet në Serbi bashkë më Kishën Ortodokse Serbe , dhe Akedeminë , po e mbajnë peng popullin serbë. Lufta ka lënë shumë trauma, ka lënë shumë probleme që jetën ende po e bëjmë jo të mirë. Shoqëritë e reja duhet të krijojnë përspektiva për popujtë e tyre , por më kusht që të shkëputën nga mitologjia. Kjo vlenë për popullin serb, i cili po lejon në krye të shtetit ti këtë ende forcat e ultranacionalistit, Vojsllav Sheshel. I shkrova këto radhë , për faktin , se shteti i pa reformuar i Serbisë , sërish po bëhët factor destabiliteti në rajon. Po na kërcënon më luftë , të cilën njëherë e humbi në vitin 1999. Po na kërcënon edhe për faktin së fakori politikë shqiptarë nuk është unik sa duhet .Nuk po është unik në Kosovë dhe as në Shqipëri, e këtë dobësi të madhe tonën , po e shfrytëzon shovinisti , Vuçiq, për ta faktorizuar Serbinë në rajon. Po të ishim unik sa duhet , sigurisht së Vuçiqi do të hezitonte të luante më zjarr, në veri të Kosovës, më rastin e vuarjës të reciprocitetit për targat serbe, nga ana e Kosovës. Pa përgjegjësitë politike kur bëhët fjalë për Serbinë , duhet lënë mbrapa, së mund të në kushtojnë keq. Ende duket së elementet ideologjike po vihen para interesave nacionale , dhe kjo nuk fletë hiq mirë.Kjo është ide fataliste për komb! Mjaftë gjatë më gabimet tona kemi dërguar ujë në mullirin e serbosllavëve pushtues .Nuk guxojmë të lejojmë të na përseriten gabimet nga historia.Kjo sigurisht së nuk do të kishte asnjë kuptim…!

Kurti e pret në zyrë policin i cili e kishte arrestuar para 16 viteve

Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në zyrën e tij stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës.

Takimi u mbajt pas operacionit dhe angazhimin e njësive speciale të Policisë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.

Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, Shef i Njësisë Speciale Operative, i cili ishte udhëheqës i operacionit në veri.

Kurti tha se Ahmetin e ritakoi pas 16 viteve teksa ka ndarë edhe një fotografi kur Ahmeti e kishte arrestuar Kurtin atë kohë gjatë një proteste të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në zyren time në Kryeministri, sot prita ministrin e brendshëm dhe udhëheqës të lartë të Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre ishte edhe Besart Ahmeti, të cilin e ritakova nga afër pas 16 vjetëve. Kapiteni Ahmeti ka udhëhequr profesionalisht policë të njësisë speciale në Bërnjak dhe ka zhvilluar shkëlqyeshëm negociata në terren atje. Nuk ia shtrënguam dorën njëri-tjetrit, për shkak të pandemisë”, ka shkruar Kurti.

Në vitin 2015 në protestat e dhunshme të organizuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Shefi i Njësisë Speciale Operative, Besart Ahmeti, ishte lënduar rëndë në kokë dhe njërin sy dhe kishte shkuar në Turqi për mjekim.

Ahmeti kishte qenë edhe dëshmitar i Prokurorisë në vitin 2010 kur Kurti po akuzohej për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Kurti gjatë seancave të mbajtura ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, të cilat rëndonin mbi të.

“I kam hedhur poshtë të gjitha akuzat e tyre, edhe asnjëri prej tre policëve që kanë qenë dëshmitarë të prokurorisë, Besart Ahmeti, Kristë Gjokaj dhe Ismet Hajdini, nuk i kanë konfirmuar pohimet e Prokurorisë. Mirëpo, pavarësisht këtyre, gjatë gjithë seancës së sotme u pa se akuzat ndaj meje, madje, nuk vijnë aq nga prokurori, sa vijnë nga vetë gjykatësi i EULEX-it”, ka thënë Kurti pas shqiptimit të dënimit prej 9 muajsh.

Kosovë, 24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore në 1997 dhe i riu Albin Kurti

Sot Kosova shënon plot 24 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve 90-të, njofton RTK.

Përveç masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.

Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.

Image

Image

Image

Image

Profesor Muhamet Mala ka vlerësuar herët se Lëvizja Studentore e ’97-s ishte krah intelektual i lëvizjes çlirimtare. Ai ka thënë:  “Mendoj se kjo lëvizje ka qenë një krah intelektual i lëvizjes çlirimtare e cila kishte filluar shumë më herët. Në fakt, lëvizja çlirimtare në Kosovë çdoherë i ka pasur dy komponentë. Komponenti i parë ka qenë një lloj rezistence ushtarake që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore në kohën e lëvizjes nacional demokratike çlirimtare. Në këtë kuptim ajo ka vazhduar në vitin 1968 me protesta dhe më 1981 po ashtu, për të ardhur deri te lëvizja studentore, e cila e ka plotësuar këtë lëvizje”.

Kthehen në Kosovë mbetjet mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur

Arkivolet me eshtrat e shtatë viktimave, të gjetura në varrin masiv në Kizhevak të Serbisë, arritën në Kosovë më 30 shtator, 2021.

 

Mbetjet mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë u kthyen të enjten nga Serbia.

Mbetjet u kthyen përmes pikës kufitare të Merdares.

Viktimat ishin vrarë në fshatin Rezallë të Komunës së Gllogocit, më 1999.

Në pritje të tyre dolën familjarë dhe qytetarë të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu ishte në Merdare, tha se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Në këtë masakër, forcat serbe vranë afro 100 shqiptarë, dhjetëra trupa të të cilëve u zhdukën.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave u gjetën në një varr masiv në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje të dy prej tyre u gjetën më herët në Rudnicë dhe iu bashkuan pjesëve të tjera të gjetura në Kizhevak.

Gërmimet në Kizhevak u kryen në fund të vitit të kaluar dhe këtë vit, ndërsa në Rudnicë në vitin 2014.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6,500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë. rel

KFOR-i shton patrullimet në veri

RFE/RL

Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja njoftoi se ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet në veri si dhe ka vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak.

Të mërkurën (29 shtator) komandanti i KFOR-it, Franco Federici, ka vëzhguar përmes helikopterit situatën në atë rajon dhe në njoftimin e misionit thuhet se ai mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuar në uljen e shpejt të tensioneve.

“KFOR -i mban një qëndrim të paanshëm, të fuqishëm dhe fleksibël për t’u marrë me të gjitha situatat e mundshme”, thuhet në njoftim.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Sipas vendimit të 20 shtatorit, të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka arsyetuar vendosjen e reciprocitetit duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Të martën, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë refuzuar ofertën e KFOR-it, që ky mision të përkujdeset për pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga atje.

Bislimi: Arritëm marrëveshje në parim për çështjen e targave

Bislimi: Marrëveshja për targat pret miratimin e Beogradit
RFE/RL

Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja, e cila pret miratimin e Beogradit, është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

“Kemi arritur te një draft përfundimtar i cili dakorduar pothuajse në tërësi ka mbetur vetëm që pala serbe të jap dakordimin final, nëse po, mund të fillojë zbatimi i marrëveshjes shumë shpejt”, tha shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi.

Marrëveshja, sipas tij, parasheh tri elemente: i pari është që nga dita e hënë si Serbia ashtu edhe Kosova të avancojnë dhe të përdorin “letrat ngjitëse” në vend të tabelave. Kjo zgjidhje, sipas tij, do të jetë e përkohshme pasi në të njëjtën kohë do të krijohet edhe një grup punues i cili brenda gjashtë muajsh do të gjejë një zgjidhje të përhershme të problemit të lëvizjes së lirë.

Pika e tretë, sipas tij, ka të bëjë me heqjen e barrikadave. Sipas dokumentit ditën e shtunë do të vendosej KFOR-it që do të zëvëndësonte njësitë speciale të policisë së Kosovës të cilat do të tërhiqeshin bashkë me barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Ndërkohë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja nuk ka përfunduar dhe se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë po marrin pjesë në takimet në Bruksel, që kanë për qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për situatën në veri, teksa rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak, për të dhjetën ditë me radhë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

“Prioritet numër një është që të ulen tensionet. Ato janë shumë të larta tash dhe duhet të ulen menjëherë”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura.

Më herë I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se ka zhvilluar takime të ndara me dy kryenegociatorët, me të cilët ka biseduar për gjetjen e mënyrave për tejkalimin e krizës aktuale.

Qytetarët serbë, me kamionë dhe mjete të tjera të rënda kanë bllokuar këto dy rrugë nacionale në atë pjesë në shenjë proteste për vendosjen e masës së reciprocitetit për automjetet me targa nga Serbia.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit nuk është raportuar për ndonjë incident në afërsi të asnjërës pikë kufitare, Jarinjë e Bërnjak. Njësitë speciale të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë bllokadave, ndërkohë që misioni i KFOR-it ka rritur prezencën në këtë pjesë.

Presidentja e Republikës të Kosovës Vjosa Osmani mes medaljeve të arta olimpike

Mes kampioneve shkruan Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke bërë selfie me tre kampionet Olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova. Një komentues shkruan “Katër legjendat” –

 

 

Akuzoi Kosovën për konspiracion, gazetarët ‘gozhdojnë’ Ramën

Gazetarët e Kosovës kanë ‘gozhduar’ kryeministrin Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me homologun kosovar, Albin Kurti. Ata i thanë se Rama ka deklaruar në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel se Kosova bën konspiracion.

Siç ndodh edhe në Shqipëri, Rama akuzoi gazetarët e Kosovës, duke thënë se ata nuk e kanë cituar siç duhet.

Edhe pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi, Rama tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për Ballkanin e Hapur. Ai thotë se është më i bindur nga çfarë ishte se nisma e re është rruga e përbashkët.

“Nuk më citoni si duhet, edhe njëherë tjetër meqë ma dhatë mundësinë, dua të them, kam pasur shumë mesazhe edhe drejtpërdrejt edhe përmes rrjeteve sociale për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë.

Jam edhe më i bindur nga se çfarë isha. Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Për të mirë tonë. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit e patriotizmit. Nacionalizëm do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi ta duash veten mirë. Kemi një mosdakordësi me Albinin. Kjo është mosdakordësi politike, duhet ta trajtojmë si të tillë.

Sa për ju, shikoni apo nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia. Themeli është i natyre tjetër. Kombëtare, vëllazërore, është përtej çdo mosdakordësie politike, ai është themeli i strategjisë tonë, për interesat tona kombëtare. Patjetërsueshmërinë e një ëndrre për të jetuar në një hapësirë të pandarë si europian e shqiptarë. Ajo di të do të vijë, e pashmangshme. Në një Europë të bashkuar, shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët të jenë të pandashëm. Serbia do e njohë një ditë Kosovën, dhe kërkesa e faljes për krimet e luftës, do të vulosë fundin e luftës së vështirë të paqes.

Jam shumë mirënjohës për mikpritjen e kryeministrit dhe mikut tim, Albin Kurtin. Patriotizmin nuk e kam kuptuar si ndasi e mllef, por bashkim,” tha Rama.

Gjermania kërkon zgjidhje të situatës në veri përmes dialogut

RFE/RL

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje përmes dialogut.

“Situata në veri duhet të shtensionohet. I bëj thirrja të dyja palëve që të flasin me njëra-tjetrën dhe jo për njëra-tjetrën. Rruga më e mirë përpara: takohuni në Bruksel dhe gjeni zgjidhje sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai në Twitter.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e gatshme që të shkojë në Bruksel për të biseduar për këtë çështje, por një takim i tillë është refuzuar nga Serbia.

Për të shtatën ditë me radhë, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë janë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat.

Që prej 20 shtatorit, të gjitha automjetet nga Serbia që hyjnë në Kosovë, duhet të largojnë targat dhe të përdorin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 25 shtator u shënuan dy incidente në veri të Kosovës, për të cilat Prishtina e akuzoi Serbinë. Autoritetet njoftuan se është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok dhe është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.


Send this to a friend