VOAL

VOAL

Kurti: Qeveria synon ndërtimin e një materniteti në Leposaviq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se të mërkurën ka vizituar Leposaviqin bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për të shqyrtuar mundësinë e kthimit të një objekti në maternitet.

Ai ka thënë gjatë mbledhjes së Qeverisë se ky maternitet do t’i plotësonte kërkesat e grave nga Leposaviqi dhe të mos kenë nevojë të kalojnë kufirin në Novi Pazar për trajtim shëndetësor.

“Pamë nga afër edhe një ndërtesë për ta vlerësuar mundësinë e kthimit të saj në maternitet që i plotëson nevojat e grave nga Leposaviqi, në mënyrë që mos të kanë nevojë ta kalojnë kufirin e të bëjnë dhjetëra kilometra deri te Novi Pazari e më pas foshnjat po regjistrohen si banore të Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se në Leposaviq ishin edhe për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit derisa në këtë komunë ishte mamografia.

Kryeministri bëri të ditur se mamografia përgjatë këtij muaji do të lëvizë nëpër komuna të ndryshme. sn

Seanca për rastin Banjska: Të arrestuarit pritet të deklarohen rreth fajësisë

Pamje prej seancës së parë përgatitore të mbajtur më 25 shtator për rastin Banjska.

 

Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur.

Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

Në fund, gjyqtari i rastit, Arben Hoti tha se do të kërkojë një opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e Ligjit kur bëhet fjalë për gjykim në mungesë, dhe konstatoi se ka kushte për të gjykuar ata që ndodhen në paraburgim në Kosovë.

Gjykata Supreme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën për këtë çështje, më 30 shtator, dhe se lënda po shqyrtohet.

Zyrtarë të saj theksuan se nuk ka një afat brenda të cilit Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë mendimin e saj juridik.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Më herët, prokurori i rastit Naim Abazi ka thënë se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetimin e sulmit në Banjskë po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë. REL

Qeveria e Kosovës i rrit pensionet 20 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Qeveria e tij ka vendosur t’i rrisë për 20 për qind pensionet që financohet nga shteti.

“Sot kam kënaqësinë që të ju jap një lajm te mirë të gjithë pënsionistëve. Nga ky muaj, do t’i rrisim për 20 për qind të gjitha pensionet”, tha Kurti në një konferencë për media të hënën në Prishtinë.

Rritja do të vlejë nga ky muaj, tha kryeministri.

Ndërkohë, pensionet për përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind nga muaji janar 2025, tha Kurti.

Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre. Kurti tha se nevojitet “ndryshime në tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”, para se të rriten këto pensione.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontibutpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti zbatohet prej vitit 2014.

Sipas Ministrit të Financave të Kosovës, mbi 300.000 pensionistë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ai tha se buxheti i përgjithshëm i tërë skemave pensionale është rreth 500 milionë euro për vit fiskal, ndërsa do të ndahen edhe 100 milionë euro shtesë vjetore pas kësaj rritjeje.

Pensioni bazik i moshës do të rritet në 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për atë të tretë 256 euro dhe për atë të katërt 318 euro.

Deri tani, pensionet në Kosovë silleshin nga 100 deri në 265 euro.

Rritja e fundit, në 100 euro, u bë në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19.

Në fund të shtatorit, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) ia dorëzoi kryesisë së Kuvendit të Kosovës një peticion që kërkon ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale që financohen nga shteti.

Më 2022, sindikalistët madje kishim mbajtur protesta për të kërkuar ndryshimin e një neni të këtij ligji, përmes së cilit kërkohet që përfituesit të kenë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Por, as Kurti e as ministri Murati nuk e përmenden këtë çështje në konferencën e së hënës.rel

Kurti: Serbia dëshiron të dëmtojë Kosovën pavarësisht bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të shtunën se Serbia dëshiron ndarjen e Kosovës dhe të dëmtojë tërësinë territoriale dhe funksionalitetin shtetëror të saj pavarësisht dialogut që po zhvillohet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e përgjithshme të subjektit të tij politik Lëvizjes Vetëvendosje.

“Tash Serbia ankohet që Kosova po bën veprime unilaterale, në fakt ajo po ankohet vetëm për qëndrimin e saj, mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ankesa është përsëritje. E akt bilateral do të ishte pikërisht nënshkrimi i përbashkët i marrëveshjes bazike me aneks të implementimit për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht duke nënshkruar marrëveshjen bëjmë gjëra bilaterale ndërkaq çështjet e brendshme të Kosovës sikurse shpallja e pavarësisë së Kosovës padyshim që janë çështje të Kosovës”, tha ai.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën institucionet e emëruara nga Beogradi dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Miroslav Lajçak, tha një ditë më parë gjatë një forumi të mbajtur në Budvë të Malit të Zi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbëjnë sfidën më të madhe strategjike në rajon. Ai tha se fatkeqësisht 18 muaj që nga arritja e marrëveshjes në Bruksel e Ohër, është bërë shumë pak për zbatimin e saj.

“Në ndërkohë ne shohim përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të arritur sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Të gjithë e mbështesin sundimin e ligjit por, për fat të keq është bërë në atë mënyrë që nxit kundërshtime nga bashkësia ndërkombëtare dhe zhgënjim nga komuniteti i prekur vendës. Prandaj edhe kemi më pak normalizim e më shumë tensione”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se sundimi i ligjit është sikurse frymëmarrja për shtetin sovran.

“Frymëmarrja është e njëanshme, përveç te ndihma e parë ndoshta, por Kosova mund të ketë pasur nevojë për ndihmë të parë në pranverën e verën e vitit 1999. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur ku sundimi i ligjit vjen si detyrë direkte nga sovraniteti i shtetit. E këtë sundim të ligjit ne nuk e kemi përdorur në kurriz të të drejtave sepse ligji është i drejtë dhe për shkak se shteti është demokratik”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se Serbia vazhdon të mos e respektojë marrëveshjen bazike të arritur vitin e kaluar në Bruksel ndërsa kërkoi të tërhiqet menjëherë letra e ish kryeministres të Serbisë Ana Bërnabiç dërguar Bashkimit Evropian në dhjetor të vitit 2023 në të cilën thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

“Nëpërmjet dhunës në veri të Kosovës ata kanë sulmuar që të dëshmojnë se shqiptarët dhe serbët nuk mund të jetojnë bashkë andaj edhe duhet ndarë Kosova. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit para një viti kishte për qëllim një konflikt të gjerë e të gjatë me gjithë atë armatim që kishin sjellë paraprakisht në funksion të aneksimit të veriut të Kosovës. Pavarësisht dialogut në Bruksel ata e duan ndarjen e Kosovës, ata duan ta dëmtojnë tërësinë tonë territoriale dhe funksionalitetin tonë shtetëror”, tha kryeministri Kurti.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se marrëveshja pavarësisht që nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për Kosovën dhe Serbisë dhe se përparimi në zbatimin e saj është i lidhur ngushtë me përparimin e të dyja palëve në proceset integruese.sn

IKSHPK: Uji i liqenit të Badocit nuk është i pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka rekomanduar që uji nga Liqeni i Badocit të mos përdoret për pije, por vetëm për pastrim.

Kjo pasi, sërish në analizimin e mostrave të marra nga ky liqen janë vërejtur nivele të ngritura të manganit.

Edhe vitin e kaluar, IKSHPK kishte rekomanduar mospërdorimin për pije të ujit të Badocit, për shkak të ngritjes së vlerave të manganit.

Ky institut tha se paraqitja “e fenomenit” të manganit në Badoc është dukuri e vazhdueshme, që ndodh “kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve”.

“Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake, si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, tha IKSHPK.

IKSHPK-ja ka publikuar një hartë të zonave që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badocit. Ndër to janë disa lagje të Prishtinës, sikurse Matiqani, Aktashi, Bregu i Djellit, e lagja e spitalit, por edhe Graçanica.

Instituti tha se pavarësisht se mangani konsiderohet lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, vlerat e larta të tij në ujë të pijes mund të kenë ndikim të dëmshëm në shëndet, “e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç”.

IKSHPK po ashtu i ka kërkuar ujësjellësit rajonal “Prishtina” që të kontrollojë procesin e dezinfektimit të ujit, të përcjellë gjendjen e ndotjes organik dhe të pastrojë rrjetin e shpërndarjes, pra të gypave. REL

Kosova në samitin e 10 të Procesit të Berlinit

Sandra Cvetkoviq

“Ne po punojmë dhe jemi të përkushtuar që 10-vjetori i Procesit të Berlinit të jetë i suksesshëm”.

Kështu iu përgjigj Qeveria e Kosovës pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse është duke shqyrtuar kërkesën e Gjermanisë për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia.

Ambasada gjermane në Kosovë konfirmoi për REL-in se “ka pasur shumë bisedime mes zyrtarëve gjermanë dhe kosovarë për këtë temë”, sepse, siç tha, “Gjermania do që të arrijë rezultate sa i përket CEFTA-s në samitin e këtij viti të Procesit të Berlinit”.

Kërkesën për heqjen e ndalesës së importit të mallrave nga Serbia në Kosovë e bëri i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në fillim të shtatorit, me shpjegimin se kjo ndalesë bllokon punën e CEFTA-s, apo Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore.

Ai tha se, për shkak të kësaj ndalese, Kosova mund ta rrezikojë pjesëmarrjen në Procesin e Berlinit – një nismë që synon ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.

Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor.

Qeveria e Kosovës mori vendim për t’i ndaluar importet e mallrave nga Serbia në mes të korrikut të vitit 2023, për, siç tha, arsye sigurie.

Atëkohë, policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. Edhe pse ata, ndërkohë, u liruan, vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia mbeti në fuqi.

BE-ja ka deklaruar në disa raste se një vendim i tillë i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen CEFTA dhe në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me BE-në.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha më 1 tetor, në një konferencë përgatitore me ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, se dy javët e ardhshme janë vendimtare për mbajtjen me sukses të samitit të Procesit të Berlinit.

“Varet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për zbatimin e CEFTA-s. Ka ende punë për ta arritur këtë”, tha ajo.

Ekspertët mbështesin heqjen e masave që ndalojnë importet nga Serbia

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia është marrë për arsye sigurie më shumë se një vit më parë dhe se është koha që të shqyrtohet seriozisht shfuqizimi i tij.

Ai thotë se ky vendim rrezikon jo vetëm punën e CEFTA-s, por edhe Procesin e Berlinit dhe Tregun e Përbashkët Rajonal, për të cilin u ra dakord në vitin 2020.

“Të gjitha janë të lidhura me njëra-tjetrën. Prandaj, është e rëndësishme që të largohen të gjitha pengesat, jo vetëm nga Kosova… Ne kemi probleme edhe me eksportimin e mallrave në Serbi, sepse ajo nuk e njeh dokumentacionin fitosanitar të Kosovës”, thotë Rafuna.

Me të pajtohet edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të “eksperimentojë” në bashkëpunim ekonomik rajonal.

Sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë rëndësinë e integrimit ekonomik evropian dhe ajo nuk e ka “luksin” ta bllokojë bashkëpunimin rajonal me vendime politike.

Rafuna: Investitorët e shohin rajonin si një treg

Rafuna, i cili është edhe kryetar i bordit drejtues të odave ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se të gjitha nismat rajonale janë të rëndësishme, andaj çdo pengesë që ndikon në funksionimin e tyre, duhet të hiqet.

“Ne jemi një vend i vogël, jemi një treg i vogël dhe të gjithë investitorët e shohin rajonin si një treg. Është e rëndësishme që mes nesh të mos ketë pengesa. Ato nuk janë mesazh i mirë për investitorët”, vlerëson ai.

Tregu në vendet e Ballkanit Perëndimor ka rreth 18 milionë banorë.

Qëndrim të ngjashëm shpreh edhe ekonomisti Gërxhaliu, i cili shton se CEFTA ka një rëndësi të madhe për biznesmenët, për shkak të përfitimeve doganore dhe plasimit të mallrave.

Ai nënvizon se edhe Procesi i Berlinit është një iniciativë e rëndësishme, nga e cila përfitojnë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se Kosova, në asnjë mënyrë, nuk duhet të lejojë që të përjashtohet.

“Nuk mund të presim investime të huaja nëse nuk ka stabilitet politik. Ai stabilitet politik nuk mund të arrihet nëse nuk kemi pjesëmarrje aktive në të gjitha nismat rajonale”, thotë Gërxhaliu.

Procesi i Berlinit u krijua në vitin 2014 në Berlin, me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, si një kontribut në perspektivën e zgjerimit të BE-së.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, janë pjesë e Procesit të Berlinit: Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Disa nga marrëveshjet e nënshkruara mes këtyre vendeve, si pjesë e Procesit të Berlinit, janë: marrëveshja për njohjen reciproke të kartave të identitetit, të diplomave universitare, të kualifikimeve profesionale, pastaj bashkëpunimi në fushën e transportit, energjisë, ekologjisë, digjitalizimit dhe në roaming.

Kosova është anëtare e CEFTA-s që nga viti 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend – UNMIK.

Qeveria e Kosovës ka kërkuar që ky përfaqësim i Kosovës të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.

Sarrazin i tha Rrjetit Ballkanik të Kërkimeve – BIRN, më 23 shtator, se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi këtë javë Gjermaninë, ku kërkoi mbështetjen e këtij vendi për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, BE-ja dhe NATO-ja.

Përmes një postimi në platformën X, Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se e përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së dhe theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në nismat rajonale, ashtu si edhe të normalizimit të marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Përgatiti: Valona Tela

Sulmi me raketa nga Irani, Kurti: Mbështesim të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i shqetësuar për sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit.

Përmes një postimi në platformën “X”, Kurti ka thënë se mbështet të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për sulmin e sotëm me raketa nga Irani ndaj Izraelit, në të cilin u lëshuan rreth 200 raketa, dhe bashkohemi me qeveritë e tjera në dënimin e këtij agresioni. Një vit pas sulmeve terroriste të Hamasit të 7 tetorit, rritja e vazhdueshme e dhunës është alarmante. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe të gjitha përpjekjet për të arritur një armëpushim të menjëhershëm”, ka shkruar Kurti.

Irani sulmoi Izraelin me raketa balistike më 1 tetor, në përgjigje të fushatës së Izraelit kundër Hezbollahut të Libanit, duke shënuar një përshkallëzim të ri të konfliktit midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani.

Zëdhënësi ushtarak i Izraelit, Daniel Hagari, tha se ushtria nuk ishte në dijeni për ndonjë lëndim dhe, rreth një orë pas fillimit të sulmit, tha se tani izraelitët mund të dilnin nga strehimoret. Ai e përshkroi sulmin si serioz dhe tha se do të kishte pasoja.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. bw

Serbët e Kosovës e pranojnë se dora e Kishës Ortodokse Serbe ka vepruar në Kosovë

Kryetari i ‘Forumit Kombëtar Serb’ nga Graçanica, Momçilo Trajkoviq, para dy ditësh u takua me opozitën në Serbi. Ai tha se do të formohet një grup punues që do të sublimojë atë që u tha dhe propozimet për të “ndaluar proceset negative që po i ndodhin popullit serb në Kosovë”.

Ai deklaroi se delegacioni i serbëve nga Kosova, në të cilin është edhe ai, do të pranojë çdo propozim dhe tha: “Së bashku do të marrim pjesë në kërkimin e mënyrave për ndryshimin e situatës”.

Ai gjithashtu tha se pjesëmarrësve të takimit iu prezantua një kornizë për “një strategji të re për mbijetesën e serbëve”.

Është propozuar edhe një “moratorium” për aktivitetet e partive politike nga Beogradi në Kosovë.

Disa pjesëmarrës të takimit i kërkuan fuqishëm Kishës Ortodokse Serbe që të shprehet dhe të paraqesë një “pozicion të qartë për Kosovën”, duke theksuar se në të kaluarën ishte përgjegjëse për mbijetesën e popullit serb.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, përkundër disa thirrjeve të mëparshme, nuk i priti anëtarët e delegacionit të serbëve nga Kosova.

Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të tri shoqatave – Forumi Kombëtar Serb, Këshilli Kombëtar Serb dhe Lëvizja “Atdheu”, të cilat më parë janë takuar me akademikë dhe anëtarë të lëvizjes ProGlas. sn

Ndahet nga jeta gjenerali i njohur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Këtë të shrtunë 28 shtator është ndarë nga jeta Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjenerali i FSK-së dhe veprimtari politik, Imri Ilazi – Komandant Ferri.

Lajmin për ndarjen nga jeta e ka bërë të ditur Komuna e Ferizajt, ku ka njoftuar se në kujtim të jetës dhe veprës së tij, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, organizon sot mbledhje komemorative nga ora 15:00 në Teatrin “Adriana”, në Ferizaj.

“Ngushëllime të sinqerta familjes Ilazi, bashkëluftëtarëve, familjeve të Dëshmorëve të Kombit, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shpirti i tij, u prehtë në parajsën e paskaj”, thuhet në njoftim.sn

Gërvalla takon homologun grek: Kosova e përkushtuar për rritje bashkëpunimi me Greqinë, fokus tregtia e investimet

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka zhvilluar një takim me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, në cilin ajo tha se kanë folur për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh.

Përmes një shkrimi në platformën X, Gëevalla tha se në këtë takim, ka theksuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, soç tha ajo, me fokus në tregti dhe investime, përcjell Klankosova.tv.

“Kënaqësi të takohem me Ministrin e Jashtëm, Giorgos Gerapetritis në margjinat e #UNGA79. Ne diskutuam mënyrat për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin shumëpalësh”.

“Theksoi përkushtimin e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve tona, me fokus në tregti dhe investime”, ka shkruar Gërvalla.sn

Një vit pas sulmit terrorist, Banjska me rrugën e Afrim Bunjakut!

Një vit pas sulmit në Banjskë, vendasit thonë se ende nuk e kanë marrë veten. Rruga në Banjskë merr emrin e Afrim Bunjakut. Si paraqitet gjendja e sigurisë atje?

 

Fshati Basnjkë në veri të Kosovës mori rrugën e tij të parë: Rruga tani quhet Afrim Bunjaku. Kështu quhet polici i vrarë në sulmin e armatosur para një viti nga një grup i armatosur i serbëve. Më pas në konfliktin me Policinë e Kosovës janë vrarë edhe tre serbë – dy nga Leposaviçi dhe një nga Zveçani.

Tabelën me emrin e rrugës e ka zbuluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në Banjskë ishte edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Një vit nga ngjarjet e 24 shtatorit 2023, jeta në Banjskë ka ndryshuar dukshëm. Atje ka më shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e më pak vendorë, sepse vendorët janë shpërngulur në zona të tjera.

Këto ditë nga frika e provokimeve u mbyll edhe manastiri i famshëm i fillimit të shekullit XIV në këtë fshat. Shkolla fillore “Banoviç Strahinja” në 24 shtator ishte e zbrazët – kjo shkollë ka më së shumti nxënës të klasës së parë në të gjitha fshatrat e veriut të Kosovës – shtatë.

“Më mirë një rrugë se një monument”

Shiu i dendur në përvjetorin e parë i detyroi fshatarët të mbylleshin në shtëpitë e tyre. Por shiu nuk është e vetmja arsye: ata e dinin, siç thonë, se fshati i tyre do të ishte nën vështrimin e politikanëve dhe gazetarëve atë ditë. Banorët thonë se akoma nuk e kanë marrë veten nga ato ngjarje. Ata ende nuk duan të flasin hapur për këtë.

Një nga të paktët që pranon të flasë është aktivisti civil Dejan Nedeljkoviç. Ndonëse prej kur është martuar nuk jeton në Banjskë, shpesh vjen këtu në shtëpinë e prindërve. Ai thotë se po angazhohet që Banjskë të ringjallë potencialin e saj turistik.

Nedeljkoviç thotë: “E dinim se dikush do të vinte dhe do ta shënonte disi këtë ditë. Madje u tha se do të ngrihej edhe një monument. Nuk do të habitesha nëse do të ishte një monument i gjatë dy metra. Por emërimi i një rruge është padyshim një alternativë më e mirë. Deri më tani Banjska nuk kishte asnjë rrugë, adresa e saj ishte Banjska bb (Banjska pa numër)”, thotë ai për DW. Ai shton se askush në fshat nuk shqetësohet me emrin e rrugës.

Nedeljkoviç flet për ngjarjet e një viti më parë kështu: “Njerëzit kaluan nëpër ferr atë natë”. E para, nuk dihej se kush ka hyrë në fshat, nuk e dinim nëse ishte ushtria serbe. Meqë ishin me uniformë, në fillim menduan se ka hyrë ushtria serbe. Pastaj në një moment u shfaqen persona të uniformuar që flisnin serbisht, ndërsa më vonë persona me uniformë që flisnin shqip, sepse ndërkohë edhe ata kanë hyrë në Basnjskë. Ishte shumë stres. Atë mbrëmje kanë qenë edhe prindërit e mi këtu. Atyre u është thënë të fshihen pas murit dhe të mos dalin në dritare, sepse mund të qëllohen”.

Nedeljkoviç e quan situatën e sigurisë në veri të Kosovës si shumë të keqe, sidomos që nga dita kur serbët u larguan nga institucionet, mbi të gjitha nga Policia e Kosovës dhe nga gjyqësori.

“Ishte një vendim katastrofik. Kishim 650 policë të armatosur ligjërisht, të cilët në çdo moment mund t’i thoshin Policisë së Kosovës se nuk duhet të vijnë në veri dhe të shkaktojnë telashe, siç ndodh në disa enklava në jug. Në situata të tilla paraqitet FOR-i dhe ndalen problemet”, thotë ai dhe kërkon që KFOR-i të vijë edhe në Banjskë.

Prokuroria me siguri do të insistojë në zbardhjen e ngjarjeve

Për shkak të rastit Banjska, Prokuroria e Kosovës në shtator ka ngritur aktakuzë kundër 45 personave. Tre u arrestuan, të tjerët janë në arrati. Në mesin e të arratisurve është edhe Milan Radoiçiç, i cili ka marrë përgjegjësinë para institucioneve në Serbi, por atje nuk ka filluar asnjë proces. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje institucioneve të Serbisë këto ditë që të ndjekin penalisht autorët, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajëson Serbinë për këto ngjarje./DW

Osmani dhe O’Brien bisedojnë për sigurinë në rajon

Takimi mes Osmanit dhe O’Brienit.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Shtetet e Bashkuara me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, me të cilin ka diskutuar për sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Osmani tha po ashtu se gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në.

“Takimi i radhës me ndihmëssekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, për të diskutuar për thellimin më tutje të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, si dhe ndërmarrjen e hapave që janë në interes të qytetarëve të Kosovës, integrimit euroatlantik të vendit tonë, si dhe paqes dhe sigurisë në të gjithë rajonin”, shkroi ajo në Facebook.

Osmani po qëndron në SHBA dhe po merr pjesë në disa ngjarje, teksa liderët botërorë janë mbledhur për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Takimi mes Osmanit dhe O’Brien pasi kohëve të fundit SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për disa veprime të ndërmarra në veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – që i ka cilësuar si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, po ashtu ka deklaruar se SHBA-ja është sfiduar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e tij në disa aspekte.

Ai ka thënë se cilësia e partneritetit mes SHBA-së dhe Kosovës “nuk është ajo që do të shpresonim të ishte në disa nga këto çështje që lidhen me mënyrën se si ai trajton veriun dhe si ai e menaxhon dialogun”.

SHBA-ja po ashtu i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta që nga viti i kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marr Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë.

Së fundi, Kosova ka ngritur aktakuzë për sulmin e armatosur në Banjskë kundër 45 personave.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

SHBA-ja dhe BE-ja kanë bërë thirrje që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati. REL

Policia e Kosovës thotë se vazhdon të trajnohet edhe nga SHBA-ja

Policia e Kosovës tha se pjesëtarët e saj vazhdojnë të trajnohen nga partnerë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara.

“Me kërkesë të SHBA-së për pjesëmarrje në trajnime në SHBA, Policia e Kosovës në vazhdimësi, por edhe tani, këtë javë, ka nominuar zyrtarët e saj për pjesëmarrje në trajnime në SHBA”, thuhet në njoftimin e policisë.

Reagimi pason raportimet e disa mediave në Kosovë se SHBA-ja i ka ndërprerë për një kohë trajnimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, si “formë e sanksionimit”, pas mbylljes së disa komunave paralele serbe në veri të vendit.

Radio Evropa e Lirë kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë, e cila tha se është “duke vazhduar shqyrtimin e çështjes” dhe se “nuk ka marrë asnjë vendim për momentin”.

“Ne ju referojmë te deklarata jonë e 30 gushtit, ku thuhej: ‘Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet e saj vartëse”, thuhet në përgjigje.

Në deklaratën e 30 gushtit, Ambasada amerikane tha, po ashtu, se Qeveria e Kosovës “instrumentalizon” Policinë për të kryer veprime të pakoordinuara.

Reagimi i saj erdhi në ditën kur autoritetet e Kosovës mbyllën disa institucione në veri të vendit – zonë e banuar me shumicë serbe – me arsyetimin se funksiononin jashtëligjshëm.

Mbyllja e tyre shkaktoi reagime të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri, t’i trajtojë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Në njoftimin dërguar mediave, Policia e Kosovës tha se i merr “me shumë seriozitet” deklarimet e Ambasadës amerikane në Prishtinë që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e Policisë dhe se “është e gatshme të procedojë gjithçka që është e nevojshme” për të ruajtur partneritetin me SHBA-në.

I pyetur për pretendimet e Ambasadës amerikane, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë këtë javë se “Policia e Kosovës, si çdo polici tjetër në vendet demokratike, ka autorizime për veprimet e saj dhe ka edhe mbikëqyrje”.

“Askund më i fortë dhe më vigjilent se në veri të Kosovës nuk është Inspektorati Policor i Kosovës”, tha Sveçla.

REL

Sveçla ‘shpërthen’ ndaj Speciales: Aktakuza për Banjskën e mangët pa përfshirjen e kreut të ushtrisë serbe

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë, është e mangët nëse nuk përfshihen , kreu i ushtrisë së serbe dhe komandanti i kazermës Pasulanski Livade.

Ai ka thënë se mospërfshirja e tyre në aktakuzë amniston Serbinë si të përfshirë direkt në sulm.

Sveçla në një intervistë në Tëvë1 ka thënë se përveç armatimit që i është dhënë këtij grupi ata kanë kryer edhe ushtrime ushtarake në kazermën e ushtrisë serbe.

“Aktakuza për mu është e paplotë përderisa nuk është komandanti i kazermës Pasulanski Livade, zëvendësi i tij, komandanti i ushtrisë së Serbisë.

Mungesa e përfshirjes së tyre amniston Serbinë si e përfshirë direkt në sulmin e Banjskës. Nuk mund të ndodhë që gjithë ai ushtrim ushtarak të ndodhë në një kazermë zyrtare pa lejen e komandantit”, është shprehur Sveçla.

Ai ka thënë se aktakuza e kufizuar vetëm në individët që kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë për të është e çuditshe.

Më 11 shtator Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakzuë ndaj 45 personave në krye me Milan Radoiçiq për sulmin në Banjskë. Ata akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe shpërlarje parash.

Në aktakuzë thuhet se grupi terrorist kishte për synim aneksimin e veriut të Kosovës dhe bashkimin e saj me Serbinë.

Prandaj kufizimi vetëm në indvidët të cilët kanë qenë pjesë e sulmit për mu është pak i çuditshëm

Kosova konfirmon një tjetër shifër: Serbia ka grabitur 3274 artefakte

Për dy dekada, institucionet e Kosovës kanë luajtur jo rrallë me shifra për numrin e artefakteve që i ka grabitur Serbia. Para pavarësisë, institucionet rëndom i referoheshin “mbi tri mijë artefakte” pastaj numri ra e u përgjysmua kur fushatat bëheshin herë për 1244 e herë 1247 artefakte të grabitura, por tash del tjetër shifër që i bie që së paku për nja 15 vjet, Kosova t’ia ketë huqur shifrës për hiç më pak se 2477 artefakte. Zyrtarisht, Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte dhe kjo konfirmohet në Raportin e hartuar nga Komisioni Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999

KOHA DITORE

Kosova aktualisht, zyrtarisht ka dy palë dokumentesh sa u përket artefakteve që i konsideron të grabitura nga Serbia. Para tre vjetësh me letrat dërguar institucioneve të Serbisë dhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM) kërkohej kthimi i 1247 artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Tash numri ka ndërruar.

Zyrtarisht Kosova thotë se Serbia në tërësi ka grabitur 3724 artefakte. Pra, 2477 më shumë. Tash shteti qëndron prapa këtij numri. Është bërë publik në saje të Raportit të hartuar nga Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Javën e kaluar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka dorëzuar Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë Raportin me të dhënat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë viteve të luftës.

Ministri Çeku ka njoftuar se gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.

“Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artefakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura”, shkruhej në njoftim. Ka treguar se Raportin e dokumentimit me këto gjetje dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuan Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës.

“Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, ka njoftuar ai.

Nga fotografitë e takimit shihet se aty janë dorëzuar edhe burime të kohës së ish-Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Por tash hesapi ka ndërruar. Më 2021 me ardhjen në krye të MKRS-së së ministrit aktual Hajrulla Çeku, pati nisur njëfarë fushate për kthimin e artefakteve që mban Serbia prej viteve ’90. Madje në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, kërkohej nga shteti serb që 1247 artefakte të kthehen në Kosovë. Nëpërmjet këtij veprimi, institucionet e Kosovës u ishin kthyer përpjekjeve që artefaktet e marra për një ekspozitë të përkohshme të kthehen në vendin e origjinës, pas më shumë se dy dekadave.

Asokohe – në maj të vitit 2021 – drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, i ishte drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviq, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.

“Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me këtë letër që synon rregullimin e një çështjeje të rëndësishme që ka mbetur e hapur prej kohësh mes institucioneve tona. Në emër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, dua t’jua kujtoj obligimin e papërmbushur për kthimin e artefakteve nga koleksioni arkeologjik dhe etnografik i Kosovës”, shkruhej në shkresën e Lecit. Kishte shkruar se ndonëse të marra nga Kosova në fund të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, me qëllim ekspozimi të përkohshëm në Serbi dhe me detyrim për t’i kthyer, artefaktet e Kosovës vazhdojnë të mbahen padrejtësisht në muzetë përkatëse të Serbisë.

“Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore (1970) obligon shtetet ratifikuese të punojnë për t’u siguruar që pasuria kulturore i kthehet vendit të origjinës (Serbia është ratifikuese e Konventës)”, shkruhet në letër.

Si fakt i tretë obligues përmendet Aneksi V, neni 6, paragrafi 1 i Planit të Ahtisaarit që, sipas shkresës, në mënyrë të prerë obligon Serbinë ta kthejë në Kosovë koleksionin arkeologjik dhe etnografik të marrë përkohësisht për qëllime ekspozuese në Beograd. Aty shkruhet se “numri total i artefakteve të koleksionit arkeologjik dhe etnografik të Kosovës që mbahen padrejtësisht në Serbi është 1247”.
Në të njëjtën ditë, tri institucioneve të Serbisë u ishte dërguar një letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve te Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes është përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Dyshja kishte shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë. Krejt këtë institucionet serbe e kishin kualifikuar si “provokim të rrezikshëm për trashëgiminë kulturore”.

Pas këtyre shkresave, Qeveria kishte emëruar Komisionin Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.

Ky Komision udhëhiqet nga Gjejlane Hoxha, njëherësh udhëheqëse e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.

Hoxha ka thënë se për shifrat e nxjerra bazohen në të dhëna zyrtare.

“Bazohemi në dokumentacionin real të vulosur në institucionin publik Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe ky është numri i kalkuluar deri më tash. Janë edhe të muzeve të Prizrenit e Mitrovicës, do të thotë të të gjithë muzeve. Ka dokumente që artefaktet kanë shkuar edhe për çështje të restaurimit dhe nuk janë kthyer kurrë. Kryesisht janë arkeologjike dhe etnografike”, ka thënë Hoxha për KOHËN.

Sa u përket librave që përmend të Raport ka thënë se janë bazuar në  raportet e UNESCO-s të vitit 2000. “Janë raporte të ekspertëve ndërkombëtarë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se çdo informacion vjen nga dokumentet kredibile institucionale. Pjesë e Komisonit janë edhe Nora Weller, Mehmet Kraja, Reshat Nurboja, Vehbi Miftari, Andras Reidlmayer, Amra Hadzimuhamedoviq, Sali Shoshi, Milot Berisha, Florina Jerliu, Avni Manaj, Nora Arapi-Krasniqi e Orges Drançolli.

Andras Reidlmayer ishte ligjërues i Universitetit të Harvardit. Në vitin 2000 së bashku me Andrew Herscher kishin përgatitur raportin “Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore në Kosovë, 1998-1999”. Reidlmayer në cilësinë e ekspertit ka dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Ballkan, saktësisht në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Raporti i tij dhe i kolegut të tij për Kosovën është përmendur edhe në Raportin e Parlamentit Evropian “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore nga konfliktet e armatosura në Ukrainë dhe më gjerë”, i hartuar në mars të vitit 2023. Ky raport midis të tjerash vë në pah se “në Kosovë ka pasur shkatërrime të mëdha të trashëgimisë kulturore në vitet 1990…”.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Kulturës se çfarë pritet në të ardhmen nga procesi i dokumentimit të shkatërrimit të trashëgimisë kulturore dhe cilat janë rekomandimet e bëra për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Por MKRS-ja nuk është përgjigjur.
Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Atdhe Hetemi ka thënë se materialet e pranuara kalojnë në filtrin metodologjik të hulumtimit dhe mandej përdoren për qëllime të hulumtimeve akademike e të tjera.

“Materialet tona shërbejnë si burime shkencore për punimeve akademike e si burime informacioni për ndonjë rast tjetër”, ka thënë ai për KOHËN derisa ka rrumbullakuar mandatin që ka institucioni që ai udhëheq.

Në anën tjetër, me ekspozita të përkohshme ose me fushata posterësh,  Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Ministria e Kulturës tash e 20 vjet kërkojnë kthimin e eksponateve.

“Kthehu” titullohej ekspozita me imazhe të eksponateve që mungojnë, e cila u hap më 2002 në Muze si thirrje për kthimin e këtyre artefakteve. Aktivitetet e tilla vazhduan me ekspozitën “Kosova antike” në vitin 2004 e atë “Edhe unë dua të kthehem në shtëpi tani” në vitin 2009. Më 2022 qe ekspozita e fundit me këtë tematikë, “Return us home” (Kthenani në shtëpi). Kësisoj,  Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës kishin shënuar Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, 18 majin.

Vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.

Sulmi në Banjskë, pritet të mbahet sot seanca e parë gjyqësore ndaj 45 të pandehurve

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot pritet të mbahet seanca përgatitore në rastin Banjska, bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator kundër 45 personave, përfshirë Millan Radoiçiçin. Shumica prej tyre janë të paarritshëm për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Ka indikacione se do të kërkohet shtyrja e seancës pasi avokatët sapo e kanë marrë aktakuzën në gjuhën serbe dhe, sipas tyre, nuk kanë pasur kohë të përgatiten.

Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë.

Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi të armatosur ndodhen në Serbi.

Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjska: Vladimir Toliç, Blagoje Spasojeviç dhe Dushan Maksimoviç.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë (REL), më 24 shtator, tha se ligjet e Kosovës lejojnë që të gjykohet në mungesë, dhe se Serbia “herët a vonë do të detyrohet të dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët”.

Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Spasojeviq, javën e kaluar i tha REL-it se gjyqi do të jetë “i vështirë, serioz dhe kompleks”, pasi veprat penale të përmendura në aktakuzë janë të tilla.

Klienti i tij, Blagoje Spasojeviq, i ka treguar policisë disa detaje pas arrestimit, por theksoi se nuk e dinte se më 24 shtator 2023 do të ndodhte një sulm i armatosur. Ndërkohë, me sugjerimin e avokatit të tij, ai më vonë vendosi të mbrohet duke heshtur.

Çfarë thuhet në aktakuzë?

Prokuroria Speciale e Kosovës ngarkon të akuzuarit, ndër të tjera, me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori Naim Abazi tha se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetimin e sulmit në Banjska po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjska një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjska dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./REL

Ndërron jetë motra e komandantit legjendar Adem Jashari

Sot, më 23 shtator 2024, është ndarë nga jeta Hava Jashari-Gashi, motra e komandantit legjendar Adem Jashari dhe Hamëz Jashari.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Bekim Hamëz Jashari, përmes një postimi në rrjetet sociale. “Me dhimbje të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të nënës, motrës, hallës sonë të dashur,

HAVA (SHABAN) JASHARI-GASHI, e cila u largua nga kjo botë sot. Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e përkushtuar ndaj familjes dhe të dashurëve të saj, e cila na la pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm”, ka shkruar Bekim Jashari.

Hava Jashari-Gashi u përshkrua si një person që ka lënë pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm për familjen dhe miqtë e saj.

 

Ceremonia mortore do të mbahet sot, më 23 shtator 2024, në orën 16:30, në varrezat e fshatit Kryshevc, në Skenderaj.BW

Alarmi taktik i Kurtit

Valona Tela

Përkundër bisedimeve me vite, Kosova dhe Serbia duket se nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato jo vetëm që e kanë të vështirë të komunikojnë, por akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk duan paqe.

Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, autoritetet e Kosovës ushtrojnë “dhunë” ndaj komunitetit serb në veri.

Me “lëvizjet arrogante dhe ilegale, Prishtina rrezikon sigurinë e popullatës serbe”, ka thënë ai, kur Kosova ka mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në veri të vendit.

Brenda një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen së paku dy herë për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia.

I pyetur nga gazetarët më 17 shtator se si i komenton disa kërkesa të Vuçiqit për serbët e veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, Kurti ka thënë se ato “nuk janë racionale”.

“[Kërkesat e Vuçiqit] nuk janë aspak paqësore, por, përkundrazi, janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja, të cilat padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë, as askund”, ka thënë Kurti.

Katër ditë përpara kësaj deklarate, Kurti ka bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, ku ka siguruar, po ashtu, se Kosova është e gatshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

“Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës… Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

Në frymë të ngjashme është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, sipas saj, “assesi” nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi.

Me armatimin që ka blerë Kosova dhe me forcimin e përditshëm të institucioneve të sigurisë, “ne jemi shumë më të fortë seç kemi qenë më parë”, ka thënë Osmani më 17 shtator në një adresim para gazetarëve.

Më 24 të këtij muaji bëhet saktësisht një vit që kur një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit dhe ka vrarë një polic. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin, thuhet se “grupi, përmes përdorimit të armëve të rënda, ka tentuar ta ndante pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t’ia bashkonte atë territorit të Republikës së Serbisë”.

Kurti dhe Osmani, në disa deklarime, e kanë fajësuar direkt udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, edhe pse ajo e ka mohuar.

Serbia karakterizohet si “kërcënim kryesor” për sigurinë e Kosovës edhe në Strategjinë e vendit për Sigurinë, për vitet 2022-2027.

Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, KFOR-i thotë se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

“Misioni ynë ka një prani të dukshme dhe fleksibile, si dhe është i dislokuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja. Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme”, thotë një zëdhënës i misionit.

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, kujton se KFOR-i, pas sulmit në Banjskë, e ka rritur praninë në Kosovë dhe kjo, sipas tij, ka dhënë “shumë mësime për sigurinë”.

Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Shea thotë se është e rëndësishme që palët të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Mendoj se nuk është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake. Unë nuk shoh ndonjë tension të veçantë në kufi. Serbia nuk i ka shtuar trupat e saj në kufi. KFOR-i e ka rritur po ashtu praninë në veri të Kosovës, pas sulmit të vitit të kaluar në Banjskë. Pra, marrëveshjet e sigurisë janë të qarta. Unë mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për kërcënime dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, thotë Shea.

Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, vlerëson po ashtu se situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Sipas tij, sulmi në Banjskë ka qenë “zile zgjimi” për rrezikun që mund t’i kanoset veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Për rrjedhojë, thotë Prelec, është rritur edhe bashkëpunimi mes KFOR-it, por edhe SHBA-së dhe Britanisë me Kosovën, për të gjurmuar dhe parandaluar aktivitetet ushtarake.

“Ky lloj i deklaratave [të Kurtit] duhet të merret si përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për të fituar simpatinë ndërkombëtare. Shumica e aleatëve perëndimorë janë të shqetësuar me Rusinë. Dhe për Kurtin, çfarëdo që mund të bëjë për t’u rreshtuar me Perëndimin dhe për ta nxjerrë Serbinë si proruse, duket se ka kuptim”, thotë Prelec.

Rusia e mbështet fuqishëm Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa edhe vetë e konsideron si “gabim”. Ajo shpesh akuzohet për aktivitete që ndikojnë gjeopolitikën në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Kosova nuk është imune ndaj ndikimit rus.

Sipas saj, Rusia, përmes propagandës, lajmeve të rreme, mbështetjes për figura të caktuara qoftë në Serbi, apo në Republikën Sërpska, arrin të depërtojë në Kosovë, në një mënyrë ose tjetër.

“Frika për eskalimin e situatës është rritur në tre vjetët e fundit, për dy arsye. E para është lufta e plotë që ka nisur Rusia në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe e dyta ka të bëjë me aktin terrorist në Banjskë, vitin e kaluar”.

“Kur e dimë që zëvendëskryeministri i Serbisë [Aleksandar] Vulin takohet me [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe me udhëheqësit e tjerë të Federatës Ruse dhe i dimë edhe aspiratat ekspancioniste dhe hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, atëherë frika për eskalim sigurisht se ekziston”, thotë Loshaj.

Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, pranon se Rusia luan rol negativ në rajon, sidomos përmes dezinformimit. Sipas tij, Rusia i shfrytëzon tensionet, andaj mënyra më e mirë për të reduktuar ndikimin e saj, është ulja e tensioneve, duke i zbatuar marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Planin e Serbisë për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e që ka shkaktuar habinë e disave, Shea nuk e sheh si diçka që do t’i rriste kërcënimet në rajonin e Ballkanit, ku tensionet mbeten të larta që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

“Rekrutët do të shërbejnë vetëm për 75 ditë. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme për t’u dhënë atyre ndonjë trajnim serioz ushtarak. Duket se ky rekrutim është më shumë pasojë e pamundësisë për të rekrutuar ushtarë profesionistë në Serbi”.

“Rreth 12.000 ushtarë profesionistë serbë janë larguar nga forcat e armatosura gjatë dekadave të fundit, për shkak të pagave të dobëta, kushteve të këqija, pajisjeve të dobëta e të tjera. Pra, duket më shumë si përpjekje për të kompensuar rënien e numrit të profesionistëve”, thotë Shea.

Serbia e ka hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por Vuçiq ka miratuar rikthimin e tij më 14 shtator. Kroacia fqinje ka njoftuar, po ashtu, se nisur nga 1 janari i vitit 2025 do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se qëllim i tyre, mesa duket, është të paraqesin imazhin e një mbrojtjeje të fortë kombëtare.

Por, përderisa NATO-ja është aq e pranishme në rajon, është vështirë të imagjinohet ndonjë konflikt i drejtpërdrejtë, sipas tij. Megjithatë, shton se gjërat mund të bëhen më të komplikuara në një afat më të gjatë.

“Nëse gjërat qetësohen në Evropë, nëse ka një stabilizim relativisht të shpejtë të situatës në Ukrainë – ndoshta armëpushim, nëse jo marrëveshje paqeje – atëherë mendoj se gjërat do të qetësohen edhe në Ballkanin Perëndimor. Nëse gjërat përshkallëzohen në Ukrainë, ose nëse ato zhvillohen në favor të Rusisë, atëherë ato mund të kenë efekt shumë destabilizues dhe dëmtues në Ballkanin Perëndimor”, thotë Prelec.

Për të shmangur rrezikun e tillë, Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se përpjekjet e Kosovës dhe të aleatëve të saj perëndimorë duhet të bashkërendohen.

“Mendoj që përtej deklaratave dhe vizitave që bëjnë udhëheqësit ndërkombëtarë, duhet të ketë edhe hapa konkretë. Për shembull, nëse Kosova merr Partneritetin për Paqe – që vjen në prag të anëtarësimit në NATO – ky do të ishte një hap pozitiv. Por, mendoj që edhe politikanët tanë duhet të kenë më shumë koordinim, më shumë komunikim, në çfarëdo aspekti, me aleatët e NATO-s dhe të BE-së”, thotë Loshaj.

Së paku, BE-ja ia ka bërë të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se integrimi që synojnë në këtë organizatë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Por, derisa tensionet mes tyre ziejnë, përparimi duket si një ëndërr e largët.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 gusht se shoqëritë në këto dy vende nuk janë ende gati për normalizimin.

E, me fjalët e Jamie Sheas, “gjërat mund të lëvizin vetëm me mega-presion ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor nuk ka dinamikë autonome”.

“Grupe të armatosura mund të përsërisin sulmin terrorist në Kosovë”, ministri Maqedonci: Trajnohen dhe mbështeten nga Beogradi

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ekziston rreziku që grupe të armatosura, të cilat mbështeten nga strukturat në Beograd, mund të përsërisin sulmin terrorist në Kosovë, me synime politike si ai i Banjskës së viti të kaluar.

Maqedonci u shpreh se grupet terroriste me në krye Milan Radoiçiçin, që kryen sulmin terrorist në Kosovë, enden të lirë, trajnohen e zhvillojnë aktivitete në Serbi.

Megjithatë ai vuri theksin në faktin që Kosova ka marrë masa dhe ka krijuar kushte për të parandaluar këto rreziqe, duke shtuar këtu edhe prezencën e forcave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Duke pasur parasysh shtrirjen administrative të vendit tonë tani më edhe në katër komunat veriore të vendit tonë, gjithashtu prezencën e shtuar të Policisë së Kosovës në atë pjesë, ndalimin e aktiviteteve të ndryshme ilegale duke përfshirë edhe zyrat ilegale që funksionin në pjesën veriore të vendit tonë. Duke pasur parasysh që pas sulmit të 24 shtatorit pjesa më e madhe e grupit që drejtohej nga Radoiçiq janë larguar për në Serbi, normalisht rreziku brenda territorit tonë është zvogëluar. Por gjithmonë mbetet rrezik mundësia që grupe si grupi Radoiçiq, dhe vetë grupi Radoiçiq të zhvilloj ndonjë aktivitet të ngjashëm terrorist me synime politike, gjithmonë i mbështetur nga strukturat në Serbi. Përderisa grupi i Radoiçiqit dhe grupet tjera kriminale dhe terroriste qarkullojnë të lira në Serbia, për më tepër trajnohen dhe zhvillojnë aktivitetet atje, vlerësojmë që prapë mund të ketë rreziqe të ngjashëm. Por gjithashtu duhet theksuar edhe fakti që tani më janë krijuar shumë parakushte që kjo të mos ndodh dhe këto parakushte janë krijuar nga institucionet tona por edhe nga prezenca e shtuar e trupave të KFOR përgjatë vijës kufitare me Serbinë. Kohët e fundit është vërejtur një shtim i numrit të KFOR sidomos në brezin kufitar. Kjo është bërë pikërisht për të penguar futjen grupeve të tilla në Kosovë”, ka thënë ai.bw

Rohde: Procesi i Berlinit e forcon mbështetjen për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur rreth Procesit të Berlinit, që për një dekadë po organizohet nga vendi që ai përfaqëson.

Për këtë ai u shpreh tejet krenar.

Diplomati gjerman tha se nga 2014-ta, ky proces ka krijuar lidhje më të forta, në mes të gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

“Bashkë jemi të përkushtuar për rritjen e bashkëpunimit dhe mbështetjen në rritje në Kosovë dhe krejt regjionin”, tha diplomati gjerman, transmeton Klankosova.tv.

Mbi 300 trupa britanike vijnë në Kosovë për stërvitje të përbashkëta me trupat e KFOR-it

Nga sot deri në fund të tetorit një kontingjent prej më shumë se 300 trupave nga Regjimenti i Royal Yorkshire i Mbretërisë së Bashkuar do të vendoset përkohësisht në Kosovë dhe do të kryejë disa aktivitete stërvitore bashkë me trupa të tjerë të KFOR’it.

KFOR njofton se qëllimi i këtyre stërvitjeve është që të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e trupave shtesë dhe integrimin e tyre brenda misionit të KFOR.

“Qëllimi i stërvitjeve është të testojë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre me misionin e KFOR-it. Stërvitja mbështet gatishmërinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet zbatimi i vazhdueshëm dhe efektiv të mandatit tonë të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.”

KFOR ka thënë se  pas përfundimit të stërvitjes, kontingjenti do të kthehet në Mbretërinë e Bashkuar.

“KFOR do të marrë të gjitha masat për të zbutur efektet në trafikun rrugor, të cilat mund të priten si rezultat i lëvizjeve së personelit ushtarak dhe automjeteve para dhe gjatë stërvitjeve”, ka thënë KFOR. sn

4.4 milionë euro mbështetje për 167 biznese vendore përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme

Prishtinë, 17 shtator 2024

Organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sot u mbajt në ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 167 bizneseve vendore, përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Me një vlerë prej 4.4 milionë eurosh, prej të cilave përfituese janë përzgjedhur 167 biznese prodhuese, kryeministri Kurti tha se po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve, të cilat do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, modernizohen dhe kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë së vendit tonë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti, theksoi se me vizionin për qeverisje të mirë demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimin e një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.

Me qëllim të transformimit në fushën e industrisë në vendin tonë, Qeveria e Kosovës, për herë të parë që nga periudha e pas luftës, ka miratuar Politikën Industriale 2030, e cila synon që industria e Kosovës të transformohet në një industri e cila është integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilësisë në ngritje dhe me punësim dinjitoz për qytetarët.

Në këtë ngjarje kryeministri përmendi edhe përkrahjen për industrinë prodhuese e cila sa i përket potencialit në eksport është rritur ndjeshëm vitet e fundit, në radhë të parë ai përmendi mbështetjen ndaj Fondit Kosovar Garanci Kreditore me 36 milionë euro, nga ana e Qeverisë së Kosovës. Tutje, ai shtoi se janë krijuar instrumente financiare për garantimin e investimeve të bashkatdhetarëve tanë, kjo është arritur nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës. Po ashtu, vetëm në këto tri vitet e fundit, përfshirë edhe këtë vit, 706 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, u është dhënë mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës në vlerë prej mbi 20 milionë euro, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA).

Ndërkaq, në anën tjetër, bazuar në raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, vlerësimet për vitin 2024 kanë treguar se Kosova ka pasur një rritje ekonomike prej 3.9% në Kosovë, si dhe rënie të inflacionit që natyrisht është kundrejt importit, i cili ndikon negativisht në bruto produktin vendor. Ndërkaq, sa i përket raporteve ndërkombëtare nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashihet që sektori industrial në vendin tonë të rritet me 3.6%, me çmime bazë konstante për vitin 2024, pasi që sektori industrial përbën rreth 13.2 % e BPV-së.

“Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% në bazë vjetore gjatë këtyre tre viteve të fundit mesatarisht. Prej vitit 2021 deri në këtë vitin 2024 Bruto produkti vendor i vendit tonë ose ekonomia e Kosovës është rritur për 33%”, potencoi kryeministri Kurti para të pranishmëve.

Në përmbyllje kryeministri deklaroi se me qëllim të mbështetjes se sektorit privat si dhe reformat e krijuara tregojnë se Qeveria është e angazhuar dhe e përkushtuar maksimalisht në krijimin e mundësive të reja të punësimit si dhe më anë të kontributit dhe punës në ndërmarrje e tyre të shpalosin potencialin e ndërmarrjeve në Kosovë si shtytës kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

Në lidhje me këtë ngjarje edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se vërtet sot është një ngjarje e veçantë dhe e rëndësishme për ne pasi kemi përfunduar publikimin e listës përfundimtare të 167 bizneseve prodhuese që do të përfitojnë nga mbështetja e grantit për blerjen e makinerive prodhuese, përpunuese. ‘Urime të gjithëve në këtë ngjarje të veçantë”, u shpreh ajo.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z.Resul Makreshi, zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
I nderuari z.Zef Dedaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve nga industria prodhuese, përpunuese në vendin tonë
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të ndodhem sot këtu, në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve për mbështetje financiare të 167-të bizneseve vendore, përfituese të skemës së përkrahjes financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese.

Me përkrahjen financiare prej mbi 4.4 milionë euro po ofrojmë mbështetje direkte për blerjen e makinerive dhe pajisjeve. Ato do të ndihmojnë që ndërmarrjet të zhvillohen, të modernizohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ekonomisë sonë të gjithmbarshme vendore, por edhe të rritjes së bizneseve individuale.

Me vizionin tonë për qeverisje të mirë demokratike, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik mirëqenie me siguri dhe barazi, krijimi i një mjedisi të favorshëm të të bërit biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.

Për herë të parë që nga periudha e pas-luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka miratuar Politikën Industriale 2030. Kjo me qëllim që të transformojmë industrinë e Kosovës në një industri e cila është integruar globalisht, që prodhon produkte me vlerë të shtuar të lartë, të cilësisë në ngritje dhe me punësim dinjitoz për qytetarët.

Me politikat tona zhvillimore, po e rrisim ekonominë e vendit dhe po i mbështesim si asnjëherë më parë edhe qytetarët dhe ndërmarrësit e industrisë prodhuese gjithashtu në rritje. Gjatë tri viteve të fundit, përkrahja për industrinë prodhuese me potencial eksporti është rritur ndjeshëm dhe unë këto do ti përmend disa prej veprimeve kryesore:

Së pari, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur Fondin Kosovar për Garanci Kreditore me 36 milionë euro përgjatë vitit 2023 dhe këtij vitit 2024 në të cilin ndodhemi. Nga ky Fond janë garantuar 1,222 kredi të 1,074 bizneseve, në vlerë prej 82 milionë euro kredi të disbursuara nga garantimi prej këtij Fondi, të mbështetur vetëm nga kapitali i dhënë nga Qeveria në këtë Fond, gjatë këtyre dy viteve të fundit. Nga këto kredi janë shtuar 2,230 vende pune.

Së dyti, nëpërmjet Dritares për Investime të Diasporës, dhe garantimin e investimeve të diasporës, kemi krijuar instrumente financiare për garantimin e investimeve të bashkatdhetarëve tonë. Përmes kësaj dritareje, mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërkaq e tërë dritarja parashihet që të arrijë deri në 100 milionë euro. Bashkatdhetarët nga kudo në botë, e kanë mundësinë që të investojnë edhe në Kosovë.
Së treti, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve (KIESA), gjatë tri viteve të fundit përfshirë këtë vit, kemi dhënë mbështetje financiare në rritjen e konkurrencës së 706 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në vlerë prej mbi 20 milionë euro. Këtë mbështetje e kemi shpërndarë përmes skemave të granteve për avancim të teknologjisë, me qëllim rritjen e prodhimit dhe rritjen e eksportit të produkteve vendore, certifikimin e produkteve, trajnimin, digjitalizimin e ndërmarrjeve, si dhe mbështetje financiare për zejtarët artizanë, me synim krijimin, zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të artizanateve.

Për ndërkombëtarizim të ndërmarrjeve tona dhe rritje të eksporteve, që këto tre vite janë dyfishuar kemi mbështetur rreth 400 biznese vendore për pjesëmarrjen në mbi 50 panaire ndërkombëtare për mallra, shërbime dhe aktivitete të turizmit, duke promovuar mbi 1500 produkte në vlerë prej 3.2 milionë euro.

Me qeverisjen e mirë, besueshmërinë dhe kënaqëshmërinë e lartë të qytetarëve, reformat ekonomike, përgjegjshmërinë fiskale, mbështetjen e investimeve përmes garantimit të kredive, dhe krijimin e skemave të granteve për sektorin e biznesit, Kosova po bëhet çdo herë e më shumë vend që siguron prosperitet ekonomik e mirëqenie për të gjithë.

Andaj edhe nuk është e befasishme që ashtu siç janë dyfishuar eksportet, janë dyfishuar edhe investimet e huaja direkte përmes investimeve të ndërmarrjeve të cilat vijnë nga jashtë dhe në këtë mënyrë kanë përfituar për vete sepse jemi vend i leverdishëm për të investuar, por gjithashtu edhe ka ndihmuar në rritjen e punësimit tek ne, i cili është rritur gjithashtu në masë përmbajtjesore gjatë këtyre tri viteve.

Kosova ka shënuar zhvillim dhe rritje të shpejtë, duke shënuar një normë mesatare vjetore të rritjes së PBB-së prej 6.2% në bazë vjetore gjatë këtyre tre viteve të fundit mesatarisht. Prej vitit 2021 deri në këtë vitin 2024 Bruto produkti vendor i vendit tonë ose ekonomia e Kosovës është rritur për 33%.

Me një normë të inflacionit prej vetëm 1.4% për muajin gusht, pra muajin që lamë pas sivjet. Kosova ka pasur gjithashtu edhe borxhin e përgjithshëm më të ulët krahasuar më shtetet e Ballkanit Perëndimor, me vetëm 17.3% në vitin 2022.

Raportet e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës vlerësojnë për vitin 2024 një rritje ekonomike prej 3.9% në Kosovë, si dhe rënie të inflacionit që natyrisht është kundrejt importit i cili ndikon negativisht në bruto produktin vendor.

Raporte të rëndësishme ndërkombëtare përfshirë ato nga Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, parashohin rritje të sektorit industrial në vendin tonë me 3.6%, me çmime bazë konstante për vitin 2024. Sektori industrial përbën rreth 13.2 % e BPV-së.

Të gjitha këto reforma, dhe progresi në mbështetje të sektorit privat, tregojnë se jemi të përkushtuar e të angazhuar maksimalisht për juve si biznese, si dhe krijimin e mundësive të reja të punësimit.

Duke ndihmuar bizneset ne ndihmojmë edhe shoqërinë tonë meqenëse ju bartni barrën kryesore të punësimit në vendin tonë. Dhe për këtë ju jemi falënderues e mirënjohës sepse qytetarët e Republikës tonë duke u bërë punëtorë në ndërmarrjet e juaja edhe kontribuojnë në ato ndërmarrje edhe në ekonominë e vendit por gjithashtu edhe lartësohen për veten e tyre individualisht e familjarisht.

Me bashkëpunimin dhe përkushtimin e të gjithëve, edhe të Qeverisë edhe të sektorit privat jam i bindur se do ta shpalosim potencialin e ndërmarrjeve tuaja e tonat në Kosovë si shtytës kryesor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social dhe mjedisor.

Kosovë – Ligji i ri për konfiskimin e pasurisë mund të trondisë elitën politike

Dje, qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një vendim që ka potencialin të tronditë peizazhin politik dhe ekonomik të vendit.

Ky ligj synon të trajtojë një nga çështjet më të diskutuara në vend – pasurimin e politikanëve dhe liderëve me pasuri të pajustifikueshme. Por pyetja që ngrihet është: A do të jetë ky ligj i zbatuar me seriozitet, apo do të mbetet vetëm një premtim i zbrazët?

Zbatimi i menjëhershëm: një test për qeverinë

Nëse qeveria nuk fillon menjëherë zbatimin e këtij ligji, serioziteti i saj do të vihet në dyshim. Me zgjedhjet që do të mbahen pas pesë muajsh, një vonesë mund të perceptohet si një përpjekje për përfitime politike. Arrestimet ose konfiskimet e pasurive pak para zgjedhjeve mund të duken si një taktikë për të fituar vota, dhe jo si një veprim i vërtetë për të sjellë drejtësi. Populli është i lodhur nga taktikat populiste dhe kërkon veprime të menjëhershme dhe të sinqerta.

Shembuj konkretë të pasurimit të pajustifikueshëm

Në Kosovë janë të shumtë shembujt e korrupsionit dhe manipulimit të pasurisë, ku disa politikanë dhe individë të lidhur me ta kanë përfituar shuma të mëdha përmes skemave të dyshimta. Një shembull i qartë është blerja e tokës nga individët përmes shtetit për vetëm 3 deri në 5 euro për ari, dhe shitja e së njëjtës tokë më vonë për rreth 5000 euro për ari. Paramendoni një skenar ku blini një ari toke për çmimin e një kafeje dhe e shisni për 5000 euro. Kjo do të dukej e pamundur edhe në ndonjë film humoristik, por në Kosovë është një realitet. Ka njerëz që kanë blerë hektarë të tërë toke për çmime qesharake dhe më pas kanë përfituar miliona nga shitja e tyre. Një hektar tokë, që mund të blihet për rreth 400 euro, është shitur për rreth 5 milionë euro.

Një numër i konsiderueshëm individësh në Kosovë zotërojnë 50, 100 apo edhe mbi 200 hektarë tokë, ndërsa pagat më të larta në institucionet publike nuk kalojnë 2000 euro në muaj. Ky pasurim masiv i paarsyetuar është një nga shqetësimet kryesore për qytetarët e Kosovës.

Gjithashtu, ka raste ku familjarët e liderëve të lartë politikë janë bërë ndërtuesit më të mëdhenj në vend. Shpesh, kompanitë më të fuqishme mbajnë emra të tjerë, por në realitet, pronarët e vërtetë janë në prapaskenë dhe janë individë të lidhur me politikën.

Një tjetër skandal i madh është manipulimi me statusin e veteranëve të luftës. Sipas ish-presidentit Hashim Thaçi, Kosova kishte rreth 12,000 veteranë të luftës, por në regjistrat e fundit janë përfshirë 48,000 veterana të rremë. Ky manipulim i ka kushtuar shtetit miliona euro, duke ndikuar në buxhetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Një test për seriozitetin e qeverisë

Qeveria aktuale erdhi në pushtet me një mandat të fortë për të luftuar korrupsionin dhe për të konfiskuar pasuritë e pajustifikueshme. Ky ligj është testi i parë madhor për të vërtetuar seriozitetin e saj. Nëse nuk veprohet menjëherë, sidomos duke pasur parasysh afërsinë me zgjedhjet, kjo qeveri rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe të konsiderohet si një administratë tjetër që nuk e përmbushi premtimin për drejtësi.

Përfundim: drejtësi apo zhgënjim?

Muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për të parë nëse qeveria e Kosovës do të veprojë me vendosmëri për të zbatuar këtë ligj. Nëse ligji zbatohet dhe pasuritë e pajustifikueshme konfiskohen, kjo mund të shënojë fillimin e një epoke të re për drejtësinë në Kosovë. Por nëse përdoret si një mjet politik për zgjedhjet, do të jetë një tjetër zhgënjim për popullin e Kosovës.

Për momentin, sytë e qytetarëve dhe të botës janë mbi qeverinë e Kosovës. A do të sjellë ky ligj drejtësinë që populli kërkon, apo do të jetë vetëm një tjetër premtim i parealizuar? sn

Kryeministri Kurti takoi bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak

 

 

Prishtinë, 16 shtator 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mirëpriten në Prishtinë për një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq. Në takim ishte edhe Mark Baskin, profesor dhe këshilltar i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar.

 

Gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit. Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë.

 

Kryeministri Kurti theksoi se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse. Ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj.

Zyra e Kryeministrit

Ambasada e SHBA mirëpret aktakuzën për rastin Banjska, kërkon durim deri në trajtimin e tij

Të mërkurën (11 shtator), Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave të dyshuar për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, 24 shtatorin e vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se e vlerëson punën e Prokurorisë Speciale.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës dhe Policisë së Kosovës për përfundimin e hetimit të sulmit në Banjskë dhe ngritjen e aktakuzës. Gati një vit ka kaluar që nga ky krim brutal që vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë se të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka thënë ky zëdhënës për Klankosova.tv.

Ambasada e ShBA-së gjithashtu ka inkurajuar respektimin e procesit gjyqësor dhe sundimin e ligjit, duke kërkuar “durim” ndërsa ky rast kompleks të trajtohet në gjykata.

Nga ambasada përsëritën mbështetjen e fuqishme për sundimin e ligjit, drejtësinë e barabartë dhe qeverisjen e mirë në Kosovë.

Në mesin e të akuzuarve është edhe Millan Radoiçiq, i cili e kishte pranuar publikisht përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë, disa ditë pas rastit.

Dyshohet se pastrohej para/ Policia e Kosovës bastis degën e Thesarit të Serbisë në Leposaviç, sekuestrohen miliona dinarë dhe mijëra euro e dollarë

Policia e Kosovës ka bastisur dje disa degë të Bankës Popullore të Serbisë, dega në Kosovë, dhe Drejtorisë së Thesarit në Leposaviç.

Policia njofton se ka sekuestruar mijëra dinarë serb, dollarë amerikan, franga zvicerane dhe mijëra euro gjatë bastisjes.

Gjithashtu, janë sekuestruar edhe disa pajisje tjera, që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.

“Lidhur me rastin, me 12.09.2024 njësitet policore kanë kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serb, 57,626.00-dollarë amerikan, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë. Po ashtu janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve”, thuhet në raportin e policisë.

Të enjten zëvendësdrejtori i policisë për veriun, Veton Elshani tha për median kosovare Telegraf, se operacioni është pjesë e një hetimi në vazhdim për krime ekonomike, konkretisht për pastrim parash.

“Me urdhëresë të Gjykatës në Mitrovicë, po bastisen lokalet e Bankës Popullore të Serbisë, dega në Kosovë dhe Drejtoria e Thesarit, Ministria e Financave në Leposaviq. Krimet Ekonomike janë duke hetuar një rast të pastrimit të parave që ka pasur lidhje me bankat më herët,” tha Elshani.

Hetimet për këtë rast janë në vazhdim, dhe më shumë detaje priten të dalin nga autoritetet përgjegjëse.bw

Ngrihet aktakuzë ndaj 45 personave për rastin Banjska

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se është punuar intensivisht.

“Prokuroria Speciale ka kryer punë intensive disamujore në këtë rast të madh dhe kompleks. Pas përfundimit të hetimeve, pas grumbullimit të provave dhe duke u mbështetur në to ka ngritur aktakuzë kundër 45 të pandehurve të përfshirë në këtë rast”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Ata ngarkohen për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, konkretisht veprat penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, financimi i terrorizmit dhe shpëlarjes së parave.

Për vonim të aktakuzës, Isufaj ka thënë se shkaku kryesor ishte pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të kryera jashtë vendi.

Naim Abazi, prokuror i rastit, ka thënë se janë realizuar 66 intervista me dëshmitarë dhe të pandehur. Sipas tij, si dëshmi janë marrë 120 pajisje elektrike, 1266 armë e pajisje të tjera.

Sfidë në kryerjen e punëve ai e ka cilësuar mungesën e bashkëpunimit ndërkufitar dhe vështirësitë në gjurmimin e fondeve për shpëlarje parash dhe përdorimin e teknologjive në aktivitetet kriminale nga të akuzuarit.

“Megjithatë, përkushtimi ynë për ta ndriçuar këtë rast na ka shtyrë t’i kalojmë këto sfida. Aktakuza përfshin 45 persona që kanë pasur role të ndryshme, duke filluar nga organizimi, drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi e shpëlarja e parave. Ndër ta akuzuarit me pozitë kyçe si udhëheqës i grupit është Milan Radoiçiq, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, ka deklaruar ai.

Abazi ka deklaruar se Prokuroria ka bërë dhjetëra kërkesa për bashkëpunim juridik ndërkombëtar dhe falë bashkëpunimit me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, është arritur të sigurohen dëshmi të rëndësishme. “Këto kërkesa kanë qenë thelbësore për të zbuluar rrugët e financimit dhe për të siguruar provat për të ngritur këtë aktakuzë të fuqishme”, ka thënë ai.

Abazi po ashtu ka thënë se gjatë procesit janë sekuestruar pasuri të luajtshme e të paluajtshme, prona, vetura të blinduara e mbi 1200 armë. “Ky veprim ka për qëllim të parandalojë përdorimin e këtyre aseteve për aktivitete e mëtejshme kriminale për të goditur grupet financiare… Fondet janë transferuar përmes rrjeteve të ndërlikuara financiare duke përfshirë biznese të regjistruara në emër të personave të tretë dhe investime në pasuri të paluajtshme. Gjurmimi i këtyre parave ka kërkuar analizë të hollësishme financiare dhe përfshirjen e ekspertëve të fushë”, ka thënë Abazi.

As Isufaj e as Abazi s’kanë pranuar të komentojnë nëse Serbia është e përfshirë në sulm.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e pati sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Nga shkëmbimi i zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë, ndërkaq pjesa tjetër e grupit kishte ikur në drejtim të Serbisë.

Përgjegjësinë për sulmin e pati marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili tani ndodhet në Serbi. Milan Radoiçiq disa javë pas sulmit qe arrestuar në Serbi. Ai po mbrohet në liri, ani pse Prokuroria serbe e ka ngarkuar atë me dyshimet për konspiracion, armëmbajtje pa leje dhe krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme.  sn

Kryeministri Kurti vizitoi punimet e aksit rrugor që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan

 

Banovdo (Zveçan), 10 shtator 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizitoi nga afër punimet që po zhvillohen në aksin rrugor që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan, me gjatësi 6.5 kilometër.

Rruga që lidh zonat e Mitrovicës së Jugut me qarkoren Zubin Potok – Zveçan, do të lehtësojë jetesën dhe qasjen e banorëve duke ndihmuar në ndërveprimin dhe ndërlidhjen e komunave veriore me komunat e tjera të vendit.

Kryeministri Kurti nënvizoi rëndësinë e kësaj rruge për thjeshtimin e lëvizjes së qytetarëve nga veriu në jug e anasjelltas, lirinë e lëvizjes dhe zhvillimin e komunave në veri të vendit, me qëllim përmirësimin e jetesës së të gjithë qytetarëve pa dallim.

Kryeministri Kurti takoi Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojević dhe drejtues të drejtorive të kësaj komune

 

Prishtinë, 9 shtator 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vazhduar takimet me kryetarët e komunave veriore të vendit dhe drejtorët komunalë. I shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kësaj radhe mirëpritën për mëngjes pune në kryeministri, Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nënkryetaren, Marina Bogojević dhe drejtorë komunalë.

 

Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale. U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës.

 

Kryetari Hetemi, nënkryetarja Bogojević dhe drejtorët veçuan rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar, me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror.

 

Kryeministri Kurti i falënderoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Leposaviqit për punën dhe angazhimin e përditshëm dhe për bashkëpunimin e ngushtë me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Bashkë me ministrat në takim, ai i ofroi kryetarit Hetemi dhe nënkryetares Bogojević, mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor.

Kontigjenti shqiptar i KFOR-it në Kosovë e nis me stërvitje për menaxhimin e trazirave

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë ka bërë të ditur se kontingjenti shqiptar që sapo mori detyrën në misionin e KFOR në Kosovë, u angazhua menjëherë në stërvitjen për menaxhimin e trazirave dhe turmave të dhunshme.

Në një postim në Facebook, thuhet se trupat shqiptare janë në gatishmëri.

“Trupat shqiptarë, përkrah kolegëve nga vendet aleate, janë në gatishmëri 24h për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.bw

“Beogradi po përdor taktika sipas shkollës ruse”, Sveçla: Serbia në panik, përpjekjet për destabilizim po dështojnë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka akuzuar Serbinë për përpjekje të vazhdueshme për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, duke përdorur taktika të ashtuquajtura “sipas shkollës ruse”.

Në një postim në Facebook, ai deklaroi se Serbia po intensifikon luftën speciale kundër Kosovës, duke kombinuar propagandën, operacionet subversive dhe metodat hibride për të realizuar qëllime politike.

Sipas Sveçlës, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën kanë dështuar në disa raste, përfshirë vendosjen e barrikadave në veri, sulmet paramilitare në Banjskë, dhe përpjekjet për të nxitur konflikte në komunat veriore përmes lajmeve të rreme dhe fushatave propaganduese.

“Dështuan në arritjen e qëllimeve politike përmes barrikadave në veri; Sulmin paramilitar/terrorist në Banjskë; Synimet për të nxitur trazira dhe konflikte në komunat në veri, përmes luftës hibride, lajmeve të rreme, inskenimeve dhe fushatave propaganduese”, ka shkruar ministri.


Ai gjithashtu ka theksuar se Serbia po mbron grupe kriminale me qëllime politike dhe financiare, përfshirë trafikimin e drogës dhe armëve.

“Dështuan në synimet për të mbrojtur grupet e strukturuara kriminale, për qëllime politike dhe financiare/pastrimin e parave, kultivimin e drogave, trafikimin e armëve; Destabilizimin e Kosovës dhe rajonit përmes trafikimit masiv të armëve në komunat në veri të Kosovës”.

Sveçla shtoi se përpjekjet për të destabilizuar rajonin përmes inskenimeve dhe incidenteve ndaj serbëve në Kosovë janë gjithashtu pjesë e një fushate më të gjerë të orkestruar nga Serbia, duke përfshirë struktura radikale dhe grupe kriminale.bw

Hapen të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, pas largimit të bllokadave

Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe të papenguar, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit të shtunën pasdite.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare. Pikëkalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha Sveçla në Facebook.

Dragisha Miriqit, kryetar i Shoqatës Koreni në Serbi, njoftoi të shtunën pasdite se bllokada në Merdare është hequr.

Miriq tha se shoqata e tij do të presë deri më 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet kosovare dhe paralajmëroi bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Të shtunën në mëngjes, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se në Jarinjë nuk më pengesa në qarkullimin e të gjitha automjeteve në të dyja anët e kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Xhelal Sveçla tha të premten se këto dy pikëkalime në Merdare dhe Bërnjak ishin mbyllur pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit i kishin “ndaluar në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që donin të kalonin transit përmes Serbisë.

Sveçla tha se e gjithë kjo ka ndodhur “para syve të policisë serbe”.

Ekipi i REL-it ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Por, Qeveria e Kosovës thotë se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. REL

Policia thotë se në Jarinjë ka qarkullim të automjeteve, Bërnjaku dhe Merdare mbesin të mbyllura

Qarkullimi i të gjitha automjeteve nga të dyja anët e kufirit verior në pikëkalimin Jarinjë mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar pa ndonjë problem të shtunën, një ditë pasi u bllokua pjesërisht nga disa shoqata serbe, sipas Policisë së Kosovës.

Ndërkohë, dy pikëkalime të tjera, Bërnjak dhe Merdare, vazhdojnë të mbesin të mbyllura.

Përfaqësues nga disa shoqata serbe i bllokuan të premten rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë, Jarinjë, Bërnjak dhe Merdare, duke mos i lejuar të kalonin udhëtarët me dokumente të Kosovës.

Por, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha të shtunën në mëngjes se në Jarinjë nuk ka bllokim të kufirit.

“Në mëngjesin e sotëm në pikën kufitare në Jarinjë, është duke u zhvilluar pa problem qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e kufirit edhe të automjeteve me targa serbe dhe atyre me targa të Kosovës”, tha Elshani.

Megjithatë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kosovës qarkullimi në Jarinjë thuhet se është i bllokuar për automjetet dhe kamionët me dokumente kosovare.

Autoritetet kosovare i mbyllën të premten në mbrëmje për qarkullim dy pikëkalime kufitare me Serbinë – Bërnjak dhe Merdare.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të premten se këto dy pikëkalime janë mbyllur për pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste” qytetarët që duan të kalojnë transit përmes Serbisë.

Ato do të mbesin të mbyllura deri sa gjendja të normalizohet dhe “personat e maskuara të largohen”, tha ai.

Ekipi i shërbimit të Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

Pikëkalimet e tjera kufitare mes dy vendeve, Dhei i Bardhë, Mutidovë dhe Muçibabë, janë të hapura.

Shoqatat serbe i vendosën këto bllokada në anën serbe të kufirit me Kosovën si shenjë proteste ndaj mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës nga autoritetet kosovare më 30 gusht.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Por, Qeveria e Kosovës thotë se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht. REL

Noka: Lirimi i liderit tonë dhe qeveria teknike janë dy kërkesat tona. Kjo është vjeshtë e zjarrit opozitar

Mbledhja e kësaj të premteje e Këshillit Kombëtar të PD është shoqëruar me debate sa i takon organizimit dhe aksionit opozitar. Por në fund, deputeti Flamur Noka ka dhënë udhëzimin që të gjithë të jenë në terren dhe gati për aksion.

Po ashtu, Noka renditi edhe dy kërkesat kryesore, lirimin e Sali Berishës dhe krijimin e qeverisë teknike.

Po ashtu, ai i bëri thirrje të gjithë anëtarëve që të fshijnë hamendësimet për njëri – tjetrin, pasi nuk kanë luksin që të shohin defektet.

Flamur Noka: Drejtuesit politik do të zbresin në terren. Drejtuesit e degëve të bëhen gati për organizimin e aksionit.

Lirimi i liderit tonë dhe qeveria teknike janë dy kërkesat tona. Jemi gati për aksion. Kjo është vjeshtë e zjarrit opozitar. Fshini nga mendja çdo hamendësim ndaj njëri-tjetrit. S’e kemi luksin të shohim tek njëri-tjetri defekte. Bashkë për gjunjëzimin e narkoshtetit. gsh

Tensionohet situata mes Kosovës e Serbisë…. Prishtina përgjigjet me të njëjtën ‘monedhë’, mbyll Bërnjakun!

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe i kanë kthyer udhëtarët.

Ai tha se një familje që po udhëtonte në Gjermani është kthyer prapa me forcë.

“Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, ka shkruar ministri.

Ai tha se deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim. sn

Bllokohet rruga në afërsi të pikës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës në Merdarë

Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.

Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës.

Siç është paralajmëruar, rrugët do të bllokohen edhe në dy pikat e tjera kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – Jarinje dhe Bërnjak – si dhe afër pikëkalimit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, në Kula.

Rasha Rojeviq, kryetar i Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut Kosovë-Mitrovicë, një nga tetë shoqatat që organizojnë bllokadat, tha më herët për Radion Evropa e Lirë (REL) se kjo është “bllokadë selektive”, që nënkupton se ata do t’i lejojnë ta kalojnë kufirin nga ana serbe vetëm udhëtarët me dokumente serbe.

Rojeviq tha në një intervistë për REL-in se bllokadat janë “reciprocitet i asaj që Kurti po ua bën serbëve” në Kosovë.

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Albin Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

Në disa nga objektet që më herët janë përdorur nga institucionet paralele, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre.

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh./ REL.

Këshilltari i Kurtit thotë se Serbia po e “kushtëzon” zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA

Serbia është duke e kushtëzuar zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA, Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, ka thënë të enjten Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zulfaj tha se “ka një zgjidhje kompromisi” pas disa vjetëve bllokimi në CEFTA, por e akuzoi Serbinë se ka vënë kushte për këtë.

Vendimmarrja në CEFA – e cila ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor – është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.

“Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk janë të ndërlidhura”, tha ai.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Zulfaj tha se vendimi për ndalimin e mallrave serbe “nuk ka të bëjë me tregtinë”, por “me kërcënimet ndaj sigurisë së shtetit tonë”.

“Ato nuk janë marrë nga Ministria e Tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”, shtoi ai.

Më herët gjatë ditës, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se kryeministri Kurti “nuk pranoi kompromise” për CEFTA-n gjatë një takimi të enjten më të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

“Manuel Sarrazin e vizitoi Kosovën përsëri për t’i kërkuar Albin Kurtit kompromise për CEFTA-n, që do të mundësonin më shumë liri për qytetarët, do ta zëvendësonin UNMIK-un (me Kosovën) në bord, por nuk kishte sukses”, tha Rohde.

Gjatë një vizite në rajon në fund të gushtit, Sarrazin tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti Kosova dhe Serbia, duhet të jenë të gatshme për kompromise dhe koncesione jo të lehta.

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitin 2007 dhe përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Autoritetet kosovare tani kërkojnë që të përfaqësohen si shtet jo përmes misionit të OKB-së.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Në vitin 2006, këto gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor nënshkruan këtë marrëveshje me qëllim për eliminimin e detyrimeve doganore dhe pengesave të tjera për tregtinë e ndërsjellë. REL

Presidentja Vjosa Osmani: Kosova e Finlanda partnere të palëkundura

Gjatë vizitës në Kosovë, shefja e diplomacisë finlandeze Elina Valtonen është pritur sot në takim nga presidentja Vjosa Osmani. Osmani tha në takim se Kosova dhe Finlanda janë partnere të palëkundura në mbrojtjen e vlerave evropiane.

“Në takim me ministren e Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, e falënderova për mbështetjen e shtetit të saj për Kosovën në çdo etapë, përfshirë procesin e shtetformimit, shtetndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Do të vazhdojmë angazhimin për forcimin e raporteve tona ndërshtetërore”, ka shkruar e para e vendit në një postim në Facebook.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, shefja e diplomacisë finlandeze Elina Valtonen është pritur në takim edhe nga homologia e saj Donika Gërvalla. sn

Policia e Kosovës u dërgon fletëthirrje për intervistim pesë personave që dyshohet se kanë udhëhequr institucionet paralele në veri

VOA/Edlira Bllaca

Forca të shtuara të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë u panë sërish të mërkurën në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, në atë që ato e quajtën “një trajnim periodik” në vazhdim, “për të testuar procedurat dhe për të ruajtur standardet më të larta operacionale”.

Trajnimi pasoi operacionin e 30 gushtit të autoriteteve të Kosovës që mbyllën komunat paralele serbe në veri, në një veprim që nxiti kritika nga diplomacia perëndimore.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Mbyllja e tyre nxiti reagimin e serbëve lokal të cilët për disa ditë me radhë protestuan përballë ndërtesave të institucioneve paralele të Serbisë në veri, me kërkësën për t’u kthyer në vendet e tyre të punës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot se dy nga institucionet më të rëndësishme të Serbisë në Kosovë, shëndetësia dhe arsimi janë duke funksionuar ndërsa theksoi se nuk e vë në dyshim se autoritetet në Prishtinë “do të provojnë t’i rrënojnë të gjitha”. Ai tha se është i gatshëm që të vizitojë Mitrovicën e Veriut nëse një gjë të tillë i lejohet nga forcat ndërkombëtare dhe shqiptare në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se u ka dërguar fletëthirrjet për paraqitje në Prokurorinë e Shtetit pesë personave që dyshohet se kanë qenë udhëheqës të institucioneve paralele dhe dyshohen për falsifikim të dokumenteve.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç tha se fletëthirrjet që u janë drejtuar udhëheqësve të Listës Serbe, janë dëshmi e përndjekjes brutale politike që do të ketë pasoja të gjera.

Ai shkroi në rrjetet sociale se “udhëheqësit e institucioneve serbe nuk kanë falsifikuar asgjë dhe kanë bërë gjithçka ekskluzivisht në përputhje me ligjin, duke ofruar shërbime edhe për serbët edhe për shqiptarët”, duke nënvizuar se nëse kryeministri Albin Kurti do të kishte formuar Asociacionin e komunave serbe, “sot nuk do të ishim në këtë gjendje”.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Mbyllja e komunave kritikua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, që tërhoqën vërejtjen në atë që e cilësuan vazhdimësi të veprimeve të njëanshme dhe të pabashkërenduara të autoriteteve të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave, mes kritikave të perëndimit.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel

Bashkimi Evropian tha se synon një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë pasi që ka shumë çështje në tryezë që duhet të zgjidhen dhe ditëve në vijim pritet që i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të qëndrojë në Prishtinë për të përgatitur takimin e ardhshëm në Bruksel.


Send this to a friend