VOAL

VOAL

Ish-ambasadori holandez në Kosovë për referendumin: Kosova është shtet i pavarur

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se QUINT-i duhet ta duartrokasë dhe ta mbështes qeverinë e Kosovës për moslejimin e zhvillimit të referendumit të Serbisë në Kosovë.

Bosch e ka quajtur të çuditshme deklaratën e QUINT-it për lejimin e referendumit të Serbisë në Kosovë, raporton Gazeta Express.

“Vetëm përgjigje të duhur ndaj deklaratës shumë të çuditshme të Quint-it. Veçanërisht Quint-i duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe më në fund gjithashtu do të veprojë si i tillë. Quint-i duhet ta duartrokasë dhe ta përkrahë qeverinë”, ka shkruar ai.

Zyrtare: Policia e Kosovës ndaloi futjen e materialit zgjedhor nga Serbia në Kosovë

Kamionët me material zgjedhor në pikën kufitare në Merdare më 15 janar.

RFE/RL

Policia e Kosovës ka konfirmuar të shtunën më 15 janar se të premten kanë ndaluar futjen e materialit zgjedhor për referendumin serb në Kosovë.

Sipas njoftimit, më 14 janar, në kufirin Kosovë-Serbi në Merdare kanë ardhur tri automjete (një veturë dhe dy kamionë) me targa të Serbisë, në të cilat kanë qenë gjashtë persona.

Këto automjete sipas policisë, kanë bartur material që dyshohej se do të përdoret për referendumin që pritet të mbahet në Serbi më 16 janar.

“Në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, dy mjetet transportuese (kamionët) janë dërguar tek autoritetet kompetente doganore, ndërsa pas intervistimit personat me automjetin e tyre janë kthyer mbrapa në Serbi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Rikujtojmë se Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten (14 janar) në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor.

Sipas njoftimit, koordinatori i këtij Komisioni, Marko Jankoviq, ishte i shoqëruar nga dy kamionë që transportonin material zgjedhor, lidhur me çka “ishte njoftuar Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë”.

Mes tjerash në njoftim është thënë se Policia e Kosovës ka konfiskuar dy kamionët dhe ka arrestuar zyrtarin e Komisionit, si dhe vozitësit e kamionave.

Në njoftim është thënë edhe se zyrtari i Komisionit është dërguar “në drejtim të panjohur”.

Lidhur me këtë çështje është thënë të jenë njoftuar edhe zyrtarë evropianë.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte i obliguar që sonte të merrte përsipër materialin zgjedhor në përputhje me mandatin e saj në terren, por edhe gatishmërinë e shprehur për organizimin e referendumit, për të cilin jemi njoftuar me një letër të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar. Mirëpo, sonte misioni i OSBE-së, jo vetëm që nuk ka marrë përsipër materialin e referendumit, por as nuk është paraqitur në Merdare, ku është dashur ta marrë materialin, siç është bërë çdo herë deri më tani në proceset e mëparshme zgjedhore”, përmendet në njoftim.

Policia e Kosovës dhe OSBE-ja ende nuk janë prononcuar lidhur me këto zhvillime.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë thënë të premten se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ata thanë se qytetarët serbë të Kosovës, me dyshtetësi, do të mund të votojnë për referendumin në Serbi sipas praktikave ndërkombëtare, që në këtë rast, sipas tyre, nënkuptojnë mundësitë përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Më heret më 14 janar, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, kanë thënë se me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Udhëheqësit e Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës u kanë bërë thirrje vendeve të Quint-it që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, marrë parasysh se pavarësia e saj është njohur nga shumë vende demokratike në botë.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të mbahet të dielën, më 16 janar.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Ambasadori i ri i thotë Bislimit se Amerika dëshiron që Kosova të arrijë njohje reciproke me Serbinë

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, është takuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ku ndër të tjera është folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasada e SHBA-së me anë të një komunikate ka bërë të ditur se Hovernier i ka shfaqur Bislimit përkushtimin e Amerikës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe dëshirën për arritje të njohjes reciproke me Serbinë dhe normalizim të raporteve me anë të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Diskutim produktiv me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe dëshirën tonë të përbashkët për ta parë Kosovën të arrijë marrëdhënie të normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka qenë kreu i delegacionit të Kosovës në disa takime në Bruksel.

Pas takimit në Tiranë me Veliajn, infektohet me Covid kryetari i Prishtinës

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama është infektuar me koronavirus. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kreu i Prishtinës nëpërmjet një statusi në ‘Facebook’. Kujtojmë se dy ditë më parë ai zhvilloi një vizitë në Tiranë ku edhe u takua me kryebashkikun e Tiranës Erion Veliaj. Rama thote se është izoluar menjëherë pasi ka dyshuar se ka pasur kontakt me persona të infektuar dhe se i është nënshtruar testit për COVID i cili më pas i ka rezultuar pozitivë. Ai gjithashtu njofton se ka anuluar të gjitha takimet e parashikuara, ndërsa thekson se aktualisht nuk ka simptoma , ndërsa vijon të punojë nga shtëpia në koordinimin me ekipin e tij.

Reagimi:

Të dashur qytetarë/ Sapo jam njoftuar nga IKSHPK se kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Jam izoluar menjëherë sapo kam kuptuar që kam patur kontakt me persona të cilët kanë rezultuar pozitivë, dhe kam anuluar të gjitha takimet e parashikuara. Për momentin, nuk kam asnjë simptomë dhe po e vazhdoj punën prej shtëpisë, duke u koordinuar me ekipin tim në mënyrë që proceset e punës të vazhdojnë normalisht gjatë ditëve të ardhshme.

Abdixhiku nderon Enver Malokun: Kosova s’do të jetë e qetë pa zbardhjen e vrasjes së tij

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, me anëtarë të kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me familjen Maloku, nderuan dhe kujtuan veprën e Enver Malokut, i vrarë më 11 janar të vitit 1999.

Abdixhiku tha se Maloku me themelimin dhe udhëheqjen e Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi duke bërë të vërtetën si burim informacioni, por shtoi se nuk do të jenë të qetë deri në zbardhjen e vrasjes së tij.

“Si pararendës i gazetarisë moderne të Republikës së Kosovës, në të gjithë terrin informativ që Kosova po përjetonte, Enver Maloku, si themelues e prijës i Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi që bëri të vërtetën burim informacioni gjithandej nëpër botë. Ne e kujtojmë atë, veprën e tij. Gjithsesi në këtë ditë, në këtë 23-vjetor të trishtë për LDK-në, për familjen e tij, nuk do të mbesim të qetë as ne, as familja, as një qytetar i Kosovës derisa të zbardhet plotësisht e vërteta për vrasjen tinëzare të tij”, deklaroi Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së tha se vrasja e Enver Malokut, si një figurë e lëvizjes paqësore të Kosovës, ishte tronditje e madhe për çdo familje shqiptare të Kosovës.

“Ka qenë tronditje për çdo familje shqiptare në Kosovë. Ka qenë tronditje për çdo familje në atë kohë të vështirë, viti 1999 ka qenë po ashtu vit i vështirë për çdo njeri në Prishtinë, por vrasja e Enver Malokut, një figure të lëvizjes paqësore të Kosovës, ka qenë vrasje e ëndrrave tona për liri por që për fatin tonë të mirë, për shkak të veprave të tij dhe njerëzve si ai, këtë liri e gëzojmë sot, unë, familja ime, fëmijët e mi dhe ju gjeneratat e ardhshme, prandaj e kujtojmë e nderojmë përherë”, përfundoi Abdixhiku.

Enver Maloku u vra në hyrje të banesës së tij para 23 vitesh, pasi paraprakisht me 1998 i kishte shpëtuar një atentati tjetër.

Maloku është i dekoruar me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë” si dhe Urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, respektivisht Atifete Jahjaga. Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.

Ambasadori amerikan bën homazhe te shtatorja e Rugovës: Si ambasador i SHBA’së e ndjeva se duhet ta bëj këtë

Në ditën e parë si përfaqësues diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier ka zgjedhur të bëjë homazhe te shtatorja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, raporton Gazeta Express.

Ambasadori Hovenier, para se të dalë nga Presidenca ku shkoi për t’i dorëzuar letrat kredenciale te presidentja Vjosa Osmani, tha se ndien që duhet të bëjë homazhe te shtatorja e Rugovës.

“Tani kur të dalim jashtë, desha që të bëj homazah te statuja e Presidentit Rugova dhe kam ndier se ky është veprim që si ambasador i SHBA-së duhet ta bëj për këtë personalitet në historinë e Kosovës”, tha Hovenier.

Jashtë, presidentja Osmani u shpreh e nderuar që bashkë me ambasadorin e ri amerikan vendosën kurora lulesh te shtatorja e Ibrahim Rugovës.

Ambasadori Hovenier e falenderoi presidenten Osmani në gjuhën shqipe, ndërsa tha: “Kam nderin të jem këtu për ta njohur kontributin dhe historinë e Presidentit Rugova.”

“Desha ta bëj këtë në ditën time të parë si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Për shkak të respektit për Presidentin Rugova, atë çfarë ai ka përfaqësuar… Pata nderin ta njoh atë në procesin e Rambujesë”, u shpreh ambasadori i SHBA-së.

Hovenier tha se beson se është shumë e rëndësishme që ta kujtojë dhe nderojë presidentin Rugova në ditën e tij të punës si ambasador në Prishtinë.

Paraprakisht, presidentja Osmani tha se Rugova diti të ndërtojë miqësi të sinqerta e të forta, të cilat i kanë rezistuar kohës.

Peci: Nuk nevojiten më shumë se 2-3 muaj për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci është i bindur se nëse ekziston vullneti politik marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Sipas tij, duhet të kuptohen edhe pritshmëritë e pesë vendeve mosnjohëse të Bashkimit Evropian në mënyrë që të sigurohet njohja e tyre e që vlerësohet e domosdoshme për Kosovën.

Peci shprehet se të dyja palët, si Kosova ashtu edhe Serbia, i dinë çështjet për të cilët duhet arritur marrëveshja prandaj edhe akti final i dialogut nuk është vështirë i arritshëm nëse ka vullnet nga palët.

“Marrëveshja mund të arrihet pas zgjedhjeve presidenciale në Serbi nëse ka vullnet nga të dyja palët. Unë mendoj se marrëveshjes Kosovë-Serbi nuk i nevojitet më shumë se 2-3 muaj që të arrihet, pasi dihen çështjet që duhen diskutuar, diskutimi i tyre nuk merr kohë më shumë se kaq. Mirëpo nevojitet vullneti politik i të dyja palëve por po ashtu edhe nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare që do ta ushtrojë në raport me Beogradin dhe Prishtinën”, tha Peci.

Peci thotë për KosovaPress se mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian i ka dhënë një avantazh shumë të madh Serbisë në Bruksel.

Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, thekson se bisedimet për rregullimin e raporteve Kosovë-Serbi, duhet të përcillen me biseda paralele të Uashingtonit dhe të Brukselit me pesë vendet mosnjohëse në mënyrë që këto të fundit ta njohin pavarësinë e vendit.

“Këtu e kemi një defekt shumë të madh për vendin tonë në aspekt struktural, sepse mosnjohja nga pesë vendet e BE-së, i ka dhënë një avantazh shumë të madh Serbisë në Bruksel dhe në këtë aspekt unë mendoj që këto biseda, të cilat do të mbahen mes Kosovës dhe Serbisë, për rregullimin e raporteve të tyre, duhet të përcillen edhe me biseda paralele të Uashingtonit dhe të Brukselit me pesë vendet mosnjohjese, sepse ky nuk është një proces një dimensional, por duhet të bëhen negociata me këto shtete se në çfarë kondita do të njohin pavarësinë e Kosovës dhe çfarë rezultati duhet të ketë ky dialog që ato të njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Peci.

Peci thekson se njohja nga pesë vendet e BE-së është e domosdoshme, në mënyrë që mosnjohja nga Serbia të mbetet problem vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës.

“Unë nuk pres që tani Serbia të njeh Kosovën në mënyrë eksplicite. Mirëpo, për ne është me rëndësi njohja nga pesë vendet e BE-së, apo nga katër të NATO-s, sepse me njohjen e tyre njohja e Kosovës do të bëhet problem i Serbisë dhe jo i Kosovës, ata do të kenë problem kur dëshirojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian”, thotë ai.

Sa kosovarë janë larguar nga vendi prej vitit 1969? Sa qytetarë të Kosovës jetojnë nëpër botë

Referuar statistikave, mësohet se brenda 53 vjetësh Kosovën e kanë lëshuar më shumë se gjysmë milionë qytetarë.

Njohës i proceseve politike, Besnik Vasolli ka thënë se sipas statistikave zyrtare të ASK-së, Kosovën e kanë lëshuar më shumë se 550 mijë qytetarë që nga viti 1969.

Po ashtu Vasolli ka thënë se llogaritet po ashtu se nga këta 550 mijë qytetarë të migruar, janë edhe rreth 890 mijë fëmijë të tyre që jetojnë në vende të ndryshme të botës.

“Prej vitit 1969 llogaritet që Kosovën e kanë lëshuar mbi 550 mijë banorë, prej tyre fëmijët e tyre llogariten që janë gati 890 mijë kosovarë që jetojnë në Evropë. Gjermania siç duket do t’i lehtësojë edhe më tutje masat, pasi ata kanë nevojë për fuqi punëtore, në anën tjetër kosovarët kanë nevojë për punë, ne kemi një rini të mirë, e cila nuk ka pasur fatin t’i ketë mundësitë që duhej t’i kishte dhe kjo i tërheq ata që të mendojnë të largohen nga vendi”, ka thënë Vasolli.

Sipas tij, një rol të madh në emigrimin e kosovarëve në vendet e zhvilluara të Evropës e luan edhe diaspora.

“Njerëzit nuk migrojnë vetëm për shkak të pagës, por është edhe për shkak të të ardhmes së fëmijëve të tyre, aspektet e shëndetësisë, të zhvillimit profesional, por edhe për aspekte të sigurisë. Në rastin tonë mendoj që edhe diaspora e luan rolin e rëndësishëm, sepse ne kemi anëtarët e familjes tonë atje, dhe i shohim edhe si jetojnë atje. Edhe kur të vijnë këtu, krijohet perceptimi se ata jetojnë një jetë të mirë. I shohim kur vijnë këtu se janë gazmorë, të hareshëm e duke shëtitur dhe mendojmë se realiteti është ashtu. Mirëpo kur shkojnë atje, një numër i tyre zhgënjehen pasi edhe atje e shohin se duhet të punojnë shumë për të arritur mirëqenien”, ka thënë Vasolli, i cili ka shtuar se përveç kësaj, luan rol edhe fakti që shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë në Evropë kanë hapur bizneset e tyre atje dhe kështu ua bëjnë më të lehtë familjarëve të tyre largimin nga Kosova.

Vasolli ka thënë se shteti i Kosovës duhet të krijojë mundësi për mirëqenie të të rinjve, në mënyrë që ata të mos mendojnë largimin, pasi sipas tij, nga ikja e trurit humb shumë vendi.

Rasti “Brezovica”, Gjykata i lë në paraburgim Bedri Halimin, Arben Çitakun dhe biznesmenin Ismet Asllani

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit nga një muaj ndaj tre të dyshuarve, kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimit, ish-sekretarit të kësaj ministrie, Arben Çitakut, dhe biznesmenit Ismet Asllani.

Siç ka njoftuar Gjykata Themelore e Ferizajt “B.H. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së.

A.Q. i dyshuar për shkak të veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së; dhe veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 2 të KPRK-së.

I.A. i dyshuar për shkak të veprave penale dhënia e ryshfetit nga neni 429 paragrafi 3 të KPRK-së; dhe veprës penale ushtrimi i ndikimit nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së”.

Gjykata përmes një njoftimi për media ka treguar në këtë rast gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartpërmendura, dhe ky dyshim i bazuar mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër tre (3) të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve i`u është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç, konform nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale të përshkruara më lartë.

“Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës./Express/

Prokuroria kërkon paraburgim për të arrestuarit në rastin “Brezovica”

RFE/RL

Prokuroria e Ferizajt më 7 janar kërkoi nga Gjykata Themelore e Ferizajt që të caktojë masën e paraburgimit nga tre të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”. Të pandehurit me iniciale B.H, A.Ç dhe I.A u arrestuan më 6 janar, nën dyshime të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe marrje e ryshfetit. Ata gjenden në ndalim prej 48 orësh.

B.H, kryeinspektor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, A.Ç, ish-sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie dyshohet për po të njëjtën vepër penale si dhe për marrje të ryshfetit.

Ndërsa i pandehuri, I.A dyshohet se ka dhënë para ndaj personit zyrtar “që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare”, tha Prokuroria.

Më 6 janar, autoritetet njoftuan se lidhur me rastin “Brezovica” kanë ngrirë rreth 6 milionë euro të të pandehurve, që dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

Policia kreu bastisje në nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ky rast ka të bëjë me lëshimin e lejeve të ndërtimit në mënyrë të kundërligjshme në Brezovicë të Komunës së Shtërpcës.

Në dhjetor të vitit 2021, lidhur me rastin “Brezovica” u arrestuan dhjetë persona, përfshirë edhe ish-kreun e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Ai dyshohet se ka fituar në mënyrë të kundërligjshme një milion euro.

Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica.

Brezovica është e njohur për qendrën e skijimit.

Prodhuesit e kriptovalutave: Qeveria po na detyron t’i shesim

Taulant Qenaj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka bërë që disa qytetarë të fillojnë t’i shesin pajisjet e tyre, nga të cilat kanë fituar mijëra euro në vitet e fundit.

Njoftimet për shitje po bëhen kryesisht në grupe të ndryshme në rrjetet sociale, ku zakonisht diskutohet vetëm për çështjen e kriptovalutave.

Çmimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga 1,500 e deri në 8 mijë euro, varësisht prej pajisjes.

Radio Evropa e Lirë ka komunikuar me disa prej tyre, të cilët në kushte anonimiteti kanë thënë se janë detyruar t’i ndalin pajisjet, të cilat i kanë blerë më shtrenjtë dhe tash po i shesin më lirë.

Njëri prej tyre tha në një përgjigje me shkrim se është detyruar t’i shesë tri pajisjet e tij, pasi nuk dëshiron të veprojë në mënyrë kundërligjore.

“I kam pasur tri pajisje dhe të tria i kam shitur, sepse Qeveria nuk ka dhënë afat se për sa kohë do të ndalohet prodhimi i kriptovalutave. Po të kishte një afat, do t’i ndalonim përkohësisht. Të tri pajisjet i kam shitur 1,500 euro”, tha ai.

Shitblerja e pajisjeve për prodhim të kriptovalutave po bëhet edhe në një grup me qindra qytetarë në aplikacionin ‘Telegram’.

“Kam filluar qe më shumë se 6 muaj të prodhoj kriptovaluta. Për momentin kam një pajisje (Rig 5700xt 6-GPU). E kam blerë 7 mijë euro. Pesë mijë euro i kam marrë kredi për ta blerë. Çdo muaj prej kësaj pajisje i kam fituar 500 deri 600 euro”, tha njëri prej tyre në kushte anonimiteti.

Vendimi i Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, sipas tij, është pak i ngutshëm dhe shpreson që i njëjti të anulohet.

Ai tha se ende nuk ka vendosur nëse do ta shesë pajisjen, pasi që, sipas tij, nuk shpenzon shumë rrymë.

Bie çmimi i pajisjeve

Përveç shitjes së pajisjeve, qytetarët kanë filluar t’i tërheqin fitimet e tyre të fituara nga prodhimi i kriptovalutave.

Në njërën nga kompanitë për këmbimin e kriptovalutave në Prishtinë, thonë se ata qytetarë që kanë kritpovaluta, tashmë kanë filluar t’i tërheqin fitimet, ndonëse aktualisht vlera e tyre ka rënë.

Ardian Alaj, bashkëpronar i njërës prej kompanive për këmbim të kriptovalutave, tha se me datat 4 dhe 5 janar ka qenë një fluks më i madh i njerëzve, të cilët kanë këmbyer valutat e tyre.

Ai tha se vendimi i Qeverisë nuk ka pasur shumë sqarime dhe njerëzit ndihen të rrezikuar se çfarë do të ndodhë me valutat e tyre.

“Kemi klientë të rregullt që çdo muaj vijnë i konvertojnë fitimet e tyre për nevoja të rrymës, internetit dhe nevojat e tyre personale, por këto dy ditë fluksi i njerëzve ka qenë më i madh dhe sasia e këmbimit të valutave ka qenë shumë e madhe krahasuar me muajt paraprakë”, tha Alaj.

Sipas tij, pas vendimit të Qeverisë për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, ka filluar të bjerë çmimi i pajisjeve në faqe të ndryshme online ku qytetarët i postojnë fotografitë e pajisjeve të tyre.

“Ajo çka po vërehet është se çmimi i pajisjeve ka pësuar rënie shumë të madhe. Zakonisht blerja e një pajisje, ka kushtuar deri 5 mijë euro, tash mund të gjendet në treg me 2,000-2,500 euro”, tha Alaj.

Sipas Doganës së Kosovës, vetëm gjatë vitit 2021, në Kosovë janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave në vlerë rreth 600 mijë euro.

Qeveria zotohet se do t’i ndalojë kriptovalutat edhe në veri

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se do të identifikohen lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës.

Në dy operacione të ndara, Policia e Kosovës tha më 6 janar se ka sekuestruar 70 aparate për prodhimin e kriptovalutave.

Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe veriun e Mitrovicës.

Mirëpo, zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se kjo kompani e ka të pamundur t’i identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala, duke shtuar se e kanë të vështirë të dinë edhe sa shpenzojnë rrymë këto pajisje.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem.

Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës.

Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Qeveria: Do t’i ndalojmë kriptovalutat edhe në veri të Kosovës

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të identifikojë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë territorin e shtetit.

Përmes një përgjigje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë ka njoftuar se pas identifikimit do të ndërpritet prodhimi i kriptovalutave, duke përfshirë edhe në veriun e Mitrovicës.

“Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprenë këtë aktivitet. Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Qeveria, megjithatë nuk ka thënë se si do të identifikojë këto lokacione.

Zëdhënësi i Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Viktor Buzhala, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë se kjo kompani e ka të pamundur të identifikojë lokacionet ku prodhohen kriptovalutat, e aq më pak në veri të Kosovës.

“Identifikimi i lokacioneve ku prodhohen kriptovaluta, nuk është kompetencë e KEDS-it. Dihet që nuk e furnizojmë veriun dhe nuk kemi qasje atje, e kemi të pamundur”, tha Buzhala.

Për shkak të kompleksitetit të shpenzimit të energjisë nga pajisjet për prodhimin e kriptovalutave, Buzhala tha se e kanë të pamundur ta dinë se sa energji shpenzojnë ato.

“E dimë që janë shpenzues relativisht të mëdhenj [të energjisë elektrike] pasi që bëhet fjalë për angazhim të madh të energjisë, por nuk e dimë sa pajisje janë në treg, cilat janë lokacionet tyre, a punojnë gjatë gjithë kohës, çfarë kapaciteti shpenzues kanë ato”, theksoi Buzhala.

Në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës thuhet se “në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike dhe një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit”.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovalute, duke marrë parasysh shifra konservative, konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigje.

Që prej vitit 1999, furnizimi me energji elektrike në pjesën veriore të Kosovës është problem. Që nga ajo kohë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Rreth 12 milionë euro në vit llogaritet fatura e përbashkët e energjisë së shpenzuar në katër komuna në veri të Kosovës. Së fundmi, Kosova po përballet me krizë energjike, pas rritjes së importit të energjisë. Autoritetet kanë miratuar masat emergjente për energji.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën, më 4 janar, se institucionet kompetente do të angazhohen që të ndalojnë prodhimin e kriptovalutave, pasi dyshohet se pajisjet me të cilat prodhohen ato, shkaktojnë konsum të lartë të energjisë elektrike.

Kosova mbyllet për të pavaksinuarit, ofron doza në aeroport dhe pikat kufitare

Që prej ditës së sotme, të pavaksinuarit nuk mund të futen në territorin e Kosovës. Qeveria vendosi të ashpërsojë masat anti-Covid, për shkak të rritjes së numrit të rasteve aktive me koronavirus në vend. Në raportin e fundit të autoriteteve rezultoi se janë 509 persona të infektuar. Nga 3 janari, cilido që kërkon të futet në territorin e Kosovës duhet të ketë certifikatën e vaksinimit me dy doza të vaksinës anti-Covid. Për personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do t’iu mundësohet që të vaksinohen aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.

“Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk kanë dëshmitë e vaksinimit dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP “Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit, për ata që hyjnë në rrugë tokësore”, njoftoi Qeveria.

Nga MPJ i kundërpërgjigjen OKB-së për zyrtarin e UNMIK-ut të shpallur “non grata”

Ka ardhur ‘replika’ nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara e cilësoi të pazbatueshëm vendimin për ta shpallur “non grata” zyrtarin rus të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.

Sharr Jakupi, shef i stafit në MPJD, ka shkruar se kjo ministri e ka njoftuar UNMIK-un për vendimin të premtën, raporton Gazeta Express.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD të premten, më 31 dhjetor 2021, se një nga zyrtarët e tyre ishte shpallur persona non-grata”, shkroi Jakupi në Twitter.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric e ka lëshuar sot një deklaratë zyrtare, ku thuhet se UNMIK-u s’ka pranuar asnjë komunikim zyrtar nga institucionet e Kosovës për shpalljen “non grata” të zyrtarit rus.

OKB-ja e konsideroi të pazbatueshëm vendimin e Kosovës.

“Jemi vënë në dijeni për shpalljen ‘persona non granata’ të një anëtari të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-ut. Nuk është pranuar asnjë komunikim te Misioni nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara dhe nuk është e parashikuar sipas rregullores së UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it, UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në deklaratë.

Çdo çështje në lidhje me personelin e UNMIK-ut, sipas OKB-së, duhet t’i adresohet këtij Misioni që ta trajtojë vetë.

“Çdo shqetësim në lidhje me një anëtar të personelit të UNMIK-ut duhet t’i adresohet udhëheqësisë së Misionit në mënyrë që UNMIK-u ta trajtojë këtë çështje në përputhje me statusin, privilegjet dhe imunitetin e UNMIK-ut dhe personelit të tij”, thuhet në reagim.

“UNMIK-u dhe selia e OKB-së po marrin masa adekuate për të garantuar sigurinë e stafit në falë dhe po merren me autoritetet relevante në këtë çështje”, thuhet në fund të deklaratës së lëshuar të Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla të premten e ka shpallur “non grata” një zyrtar rus të misionit të UNMIK-ut.

“Sot, Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka shpallur person non grata një zyrtar rus të UNMIK-ut me zyrë në Prishtinë. Kosova qëndron me aleatët e saj për të vepruar kundër veprimeve të dëmshme që rrezikojnë sigurinë kombëtare të Kosovës dhe rendin kushtetues”, u tha në njoftimin e MPJD-së.

Today, FM @gervallaschwarz declared persona non grata a Russian official of the @UNMIKosovo Office in Prishtina. #Kosova stands with its allies to act against malign actions that endanger #Kosova’s national security and constitutional order.

— MFA Kosova 🇽🇰 (@MFAKOSOVO) December 31, 2021

Një zyrtar ndërkombëtar brenda UNMIK-ut, me inicialet P.T. ka bërë të ditur se zyrtari rus i UNMIK-ut, Andrey Nikolaevich Antonov, i cili u shpall “non grata” nga Republika e Kosovës, ka qenë i ngarkuar me punë në degën e UNMIK-ut në Mitrovicën Veriore dhe po ushtronte presion mbi strukturat politike serbe për të ndërmarrë veprime radikale.

OKB: Kosova nuk mund të shpallë non grata pjesëtarë të UNMIK-ut

RFE/RL

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, nuk është informuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës për shpalljen “persona non grata” të një pjesëtari rus të këtij misioni.

Kështu tha Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi më 31 dhjetor se kishte shpallur “persona non grata” (person të padëshirueshëm) një zyrtar rus të UNMIK-ut, për shkak të siç thuhej “veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës”.

Por Dujarric tha se sipas ligjeve me të cilat funksionon UNMIK-u, doktrina “persona non grata” nuk mund të aplikohet ndaj personelit të këtij misioni.

“Jemi në dijeni që autoritetet në Kosovë kanë shpallur ‘persona non grata’ një pjesëtar të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Nuk kemi pranuar asnjë komunikim zyrtar në mision nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara, nuk parashihet në rregulloren e UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në deklaratën e Dujarric.

Sharr Jakupi, shefi i stafit i ministres së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se më 31 dhjetor se kjo ministri e kishte informuar UNMIK-un se njëri prej zyrtare të tyre është shpallur non grata.

“UNMIK-u është njoftuar nga MPJD-ja të premten, më 31 dhjetor 2021 se një prej zyrtarëve të këtij misioni është shpallur persona non grata”, shkroi Jakupi në rrjetin social Twitter.

OKB-ja tha se çdo shqetësim për ndonjë pjesëtar të personelit të UNMIK-ut duhet të adresohet te udhëheqja e misionit, në mënyrë që UNMIK-u të mund ta adresojë çështjen “bazuar në status, privilegje dhe imunitete të UNMIK-ut dhe personelit të tij”.

MPJD-ja nuk ka dhënë detaje lidhur me zyrtarin e shpallur non grata.

Kosova edhe në fund të tetorit të vitit të kaluar kishte urdhëruar dëbimin e dy diplomatëve rusë, teksa ka akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte thënë se diplomatët janë urdhëruar që të largohen nga vendi.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti uron Vitin e Ri: “Me gjyshen dhe gjyshin, nga Lea, Rita dhe unë: Gëzuar 2022!”

Në prag të ndërrimi të viteve kryeministri i Kosovës me një fotografi të familjes uron Vitin e Ri në rrjetin social:

Me gjyshen dhe gjyshin, nga Lea, Rita dhe unë: Gëzuar 2022!

FSK-ja e shkatërron bombën 907-kilogramëshe që u gjet në Merdare

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shkatërruar me sukses bombën 907 kilogramë që ishte gjetur në Merdare, raporton Express

Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se operacioni për shkatërrimin e bombës ka zgjatur 14 orë.

“Ekipet e EOD-së të Gardës Kombëtare të FSK-së, në bashkëpunim me Ekipin e EOD-së të KFOR-it Amerikan të mbeshtetura nga ekipi Xhenjos, kanë asgjësuar përfundimisht bombën Mk 84 (907 kg) e gjetur gjatë deminimit në fshatin Merdare, operacioni është mbyllur me sukses pas 14 orësh punë dhe bomba nuk paraqet rrezik më për qytetarët e Republikës  së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se shkatërrimi i bombës është bërë në ambiente të kontrolluara dhe sipas standardeve më të larta të sigurisë.

|Shkatërrimi është bërë në ambiente të kontrolluara dhe sipas kushteve dhe standardeve më të larta të sigurisë ,forma e shkatërrimit të bombës ishte  shpërthim më fuqi të ultë ku është ruajtur shumica e trupit ,që do të përdoret  në të ardhmen për trajnime të pjesëtarëve në këtë fushë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, bomba ishte gjetur më 8 dhjetor të këtij viti, në afërsi të pikës së kalimit kufitar në Merdare.

Kosovë: Më 2021 u arkëtuan 26,6 për qind më shumë taksa sesa vitin e kaluar

Prishtinë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) këtë vit ka arkëtuar 591,4 milionë euro nga taksat dhe 209,8 milionë euro nga kontributet pensionale, u tha sot në prezantimin e rezultateve dhe aktiviteteve të kësaj agjencie për vitin 2021, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, të cilët folën në konferencë për media, e vlerësuan këtë vit të suksesshëm, duke pasur parasysh se janë arkëtuar rreth 124 milionë euro më shumë se në vitin 2020, ose 26,6 për qind më shumë.

“ATK-ja ka arritur që t’i tejkalojë të gjitha projeksionet, pra, projeksionin e fillimit të vitit, që ishte 520,2 milionë euro, si dhe projeksionin e parashikuar, të rishikuar me buxhet në korrik të këtij viti, që ishte 556 milionë euro. Deri tash kemi mbi 35 milionë euro ose 6,4 për qind më tepër sesa plani”, tha Murtezaj.

Sipas të dhënave të Administratës Tatimore, 385 mijë punonjës kanë paguar detyrimet, rreth 25 mijë më shumë se në vitin 2020. Drejtori Murtezaj nuk specifikoi nëse bëhet fjalë për të punësuar të rinj apo për ata që tashmë punonin, por nuk ishin të regjistruar.

Murtezaj theksoi se ka vazhduar ofrimi i shërbimeve elektronike, të cilat janë 100 për qind të digjitalizuara.

Ndërkaq, ministri Murati e vlerësoi të suksesshme punën e Administratës Tatimore, ndërsa si sfidë për të ardhmen vuri në dukje formalizimin e ekonomisë dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore sipas ligjeve.

“Tek tatimi në të ardhura te korporatat ka hapësirë për përmirësim, sidomos te shmangja tatimore tek tatimi mbi vlerën e shtuar”, tha Murati.

Ai tha se sfidë është edhe sigurimi i integritetit të Administratës Tatimore, për të përmbushur detyrimet e saj ligjore.

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë viziton Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Prekaz

Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, zhvilloi një vizitë në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar, përveç kontakteve të tij zyrtare, zhvillon edhe vizita të ndryshme në Kosovë.

Ai fillimisht vizitoi tyrben e Sulltanit osman Muradi i Parë (Hudavendigar) në afërsi të kryeqytetit Prishtinë.

Më pas Akar vizitoi edhe Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku vendosi kurorë lulesh në varrin e Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Ministrin Akar në vizitë e shoqëroi edhe homologu i tij nga Kosova, Armend Mehaj.

Supremja kthen në rigjykim rastin e Todosijeviqit

RFE/RL

Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që ta kthejë në rigjykim rastin ndaj Ivan Todosijeviqit, deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiq.

Todosijeviq ishte dënuar me dy vjet burgim nën akuza për gjuhë të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik lidhur me maskarën e Reçakut.

Todosijeviq pati deklaruar në mars të vitit 2019 se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Deklarata e tij përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mbrojtja e Todosijeviqit kishte dorëzuar një ankesë në Gjykatën e Apelit, por e njëjta ishte hedhur poshtë më 24 gusht. Në ankesë, mbrojtja kishte thënë se “konsideron se veprimi me të cilin ngarkohet i akuzuari nuk është vepër penale dhe për këtë aktakuza duhet të hidhet”.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori, William Walker.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë në shkurt 2021, Todosijeviq mori mbështetjen e votuesve dhe u zgjodh një nga dhjetë deputetët e Listës Serbe. Ai mban edhe pozitën e kryetarit të Zveçanit në kuadër të strukturave paralele serbe në Kosovë.

Shefi i mbrojtjes turke: Sovraniteti, integriteti dhe paqja në Kosovë janë të rëndësishme për Turqinë

Prishtinë

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, pas një takimi në Prishtinë me homologun e tij kosovar, Armend Mehaj, ka deklaruar se Kosova për Turqinë është një vend i rëndësishëm në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

Akar tha se duke marrë parasysh lidhjen historike marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të rëndësishme për Turqinë.

“Ne si Turqi, si pjesë e Ballkanit, sigurisht që duhet t’i ndjekim nga afër ngjarjet në Ballkan dhe nga ky aspekt Kosova është e rëndësishme për punët tona. Në këto takime po përpiqemi të ndërmarrim hapa konkrete për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin tonë”, tha Akar.

Ai theksoi se çështja e sovranitetit, integritetit dhe paqes në Kosovë është e rëndësishme edhe për Turqinë.

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e menjëhershme nga Turqia është shumë e rëndësishme. Në njërën anë është zhvillimi ekonomik i Kosovës dhe bashkëpunimi ynë ekonomik, ndërsa në anën tjetër është bashkëpunimi ynë në fushën ushtarake. Industria e mbrojtjes është zhvilluar në mënyrë pozitive kohët e fundit”, tha Akar.

Shefi turk i mbrojtjes theksoi se hapat që po ndërmerr Kosova në rrugën e integrimeve euro-atlantike janë të rëndësishme dhe se shkëmbimi i përvojës ushtarake dhe trajnimi mes dy vendeve është i rëndësishëm nga ky aspekt.

Më tej, Akar tha se situata në veri të Kosovës është monitoruar nga afër nga Turqia dhe tha se është i lumtur që çështja është zgjidhur. Ai po ashtu theksoi se Turqia është duke e monitoruar nga afër procesin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Ai theksoi se dialogu është i një rëndësie të madhe dhe se për këtë arsye Turqia mbështet dialogun për të pasur stabilitet dhe paqe në Ballkan.

Akar po ashtu theksoi se në takime do të diskutohet për hapat konkrete që duhet të ndërmarrin institucionet e Kosovës kundër organizatës terroriste FETO, e cila është një kërcënim për të gjithë, jo vetëm për Turqinë.

Nga ana tjetër, Mehaj i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë, jo vetëm në planin diplomatik, por edhe në atë ushtarak. Ai tha se lidhja miqësore mes popullit kosovar dhe atij turk ka treguar se dy kombet jo vetëm që janë të lidhura historikisht, por kanë edhe një të ardhme të lidhur.

Mehaj tha se Kosova dhe populli i Kosovës asnjëherë nuk e harrojnë kontributin e Turqisë gjatë luftës, gjatë ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe gjatë ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Sa i përket çështjes së mbrojtjes, Turqia është ndër më të rëndësishmet në ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ne do t’i jemi gjithmonë mirënjohës. Si ministër i Mbrojtjes, jam shumë mirënjohës për kontributin e mbështetjes së Turqisë në aspektin e mbrojtjes, sigurisë dhe paqes”, tha Mehaj.

Shefi i mbrojtjes kosovare theksoi nevojën për mbështetjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe në NATO.

Ministri turk, i cili qëndron për vizitën në Prishtinë, u prit nga homologu i tij kosovar me nderime më të larta ushtarake.

Akar u prit edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Para vizitës në Kosovës, ai ishte për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë.

Kosova në krizë energjetike, Albin Kurti: Po bëjmë gjithçka, por s’ka zgjidhje të mirë, kërkesa ka arritur pikun historik!

Kryeministri Albin Kurti, ka folur sërish rreth krizës energjetike në Kosovë.

Kurti ka thënë se falë shtimit të likuiditetit dhe subvencionimin e importit kanë arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.

Kryeministri i Kosovës, përmes një postimi në Facebook, luti qytetarët, megjithatë, të vazhdojnë të shpenzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale.

“Unë dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr. Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju faleminderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni”, ka thënë Kurti.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Edhe Kosova është në krizë energjetike. Çmimet e larta të importit janë pasojë e faktorëve të jashtëm, ndërkaq dobësimi i kapaciteteve është pasojë e shkaqeve të brendshme.

Në njërën anë, çmimi i energjisë në bursë është shtatëfishuar: ishte rreth 70 euro për MWh në kushte normale, kurse me 21 dhjetor mbërriu deri në 515 euro! Në anën tjetër, as gjysma e konsumit te ne nuk mbulohet nga prodhimi: kërkesa ka arritur pikun historik me 1,4 GW, ndërsa në rastin më të mirë (deri sa ta riparojmë bllokun B2 me fuqi prej 255 MW) termoelektranat tona gjenerojnë as 650 MË!

Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.

Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellur në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.

Gjatë këtyre dy dekadave, projektet e ndryshme pa strategji afatgjate nuk kishin si të mos dështonin. Në vitin 2022 ne do të kemi strategjinë nacionale energjetike për dekadën në vijim, dhe shtigjet ku duhet ecur drejt vitit 2050.

Unë dhe ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli jemi në komunikim të rregullt me KEK-un, KOSTT-in dhe ZRrE-në. Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr.

Po bëjmë krejt çka mundemi. Ju falemnderit për mbështetjen dhe ju lutemi për kursim e racionalizim të shpenzimit me aq sa mundeni.

Kurti: Marrëveshja me Serbinë – brenda mandatit të qeverisë sime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se shpreson për një marrëveshje me Serbinë brenda mandatit të qeverisë së tij, që përkon me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij të Komisionit aktual evropian. Në intervistën e fundvitit me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Kurti foli edhe për krizën energjetike që ka përfshirë vendin si dhe marrëdhëniet rajonale.


Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, Kosova po përballet me krizë energjetike që ka kushtëzuar shkurtime të furnizimit të qytetarëve. Cila është rrugëdalja prej saj?

Albin Kurti: Kriza energjetike nuk është vetëm në Kosovë dhe rajon, është në gjithë Evropën. Por, neve na ka goditur si një popullsi e varfër që jemi. Dhe me këtë rast, ne po përpiqemi që nëpërmjet subvencionimit të konsumit në njërën anë dhe rregullimit të bllokut B2 të termoelektranave në anën tjetër, sadopak ta zbusim këtë situatë e cila nuk do të mund të përfundojë shpejt, meqenëse këto ditë ngarkesa bazë është diku rreth 900 megavat, ndërkaq që shpenzimi arrin edhe 1.4 gigavat, kurse i gjithë kapaciteti prodhues, sikur të punonte edhe blloku B2, nuk do të ishte më shumë se 900 megavat. Në këtë situatë ne jemi të detyruar të importojmë energji elektrike dhe këtë po e bëjmë me çmime bukur të shtrenjta, për shkak se bursa ndërkombëtare është goditur rëndë nga çmimet gjithnjë e më të larta të gazit. Pra, në njërën anë subvencionojmë konsumin, do të ndihmojmë edhe familjet që janë më të varfra, por në anën tjetër, gjithashtu u kemi bërë thirrje qytetarëve që sa më shumë që të munden, ta racionalizojnë shpenzimin dhe u jemi mirënjohës për përgjigjen pozitive.

Zëri i Amerikës: Opozita i ka cilësuar të vonuara veprimet tuaja përballë një krize të paralajmëruar. Vendet e rajonit ka muaj që e kanë shpallur emergjencën energjetike. Përse ju nuk e bëtë një gjë të tillë?

Albin Kurti: Kosova i ka dy termoelektrana. Njëra, Kosova A është e vjetër 60 vjet, tjetra, Kosova B është 40 vjet. Por, teknologjia brenda tyre është edhe më shumë se kaq, sepse vjetërsinë që e përmenda është vetëm vjetërsi e ndërtesave, ndërkaq stabilimentet aty janë edhe së paku edhe një dekadë më të vjetër se kaq. Është situatë me pajisje, teknologji dhe rrjet të amortizuar dhe gjatë këtyre dy dekadave të pasluftës kemi pasur përgjithësisht projekte sporadike e të dështuara, pa një strategji të mirëfilltë. Për herë të parë sivjet, me një strategji që i paraprinë analiza dhe studimi, do ta kemi vitin e ardhshëm për politikat energjetike dhe sektorin e energjisë në përgjithësi dhe më pastat do të mund të kemi projektet se si Kosova në këtë dekadën e tretë të këtij shekulli t’ia dalë sa i përket krizës energjetike. Jemi kritikuar që është dashur të blejmë energji elektrike më herët, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. Meqenëse nuk mund të blesh energji elektrike dhe ta konservosh në frigorifer. Je shumë i ekspozuar ndaj çmimeve të bursës dhe nuk ka asnjë vend tashmë në rajonin tonë të afërt që është vend eksportues, të gjithë janë duke importuar. Ne jemi goditur rëndë për shkak se jemi vend më i varfër se sa të tjerët dhe ne anën tjetër, jemi goditur rëndë, meqenëse përafërsisht shtatë herë më shumë shpenzon energji elektrike amvisnia në raport më industrinë.

Zëri i Amerikës: Në ndërlidhje me këtë krizë, jeni kritikuar shumë për refuzimin e projektit të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit për ndërtimin e strukturës së gazsjellësit. Debati rreth gazsjellësit u shoqërua nga diskutime rreth marrëdhënieve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara, të cilat në kohen e qeverisë suaj të parë ishin të ftohura. Po tani?

Albin Kurti: Ne nuk e kemi përjashtuar mundësinë e furnizimit me gaz dhe përdorimit të gazit dhe të një termoelektrane në të ardhmen edhe nëpërmjet gazit dhe këtë mund ta bëjmë më vonë. Mirëpo, tani, kur nuk e kemi strategji, të hyjmë në projekte për të cilat nuk e kemi as infrastrukturën dhe as ekspertizën, na është dukur nxitim i pavend. Gjithçka kemi bërë në diskutim me partnerët amerikanë, përkatësisht me MCC-në dhe me programin e tyre ‘compact’, fondet për të cilin nuk do të shkojnë dëm, por do të riorientohen deri atëherë kur ne ta kemi strategjinë dhe të shohim se si do të ecim përpara. Pra, për asnjë moment, nuk ka pasur as lëkundje se lëre më dëmtim të bashkëpunimit tonë me SHBA-në.

Zëri i Amerikës: Edhe për faktin që gazsjellësi është një projekt rajonal sepse përfshinë Maqedoninë e Veriut dhe lidhet edhe me Greqinë, pra kur Kosova ka nevojë për zgjerim të këtij bashkëpunimi rajonal?

Albin Kurti: Padyshim që bashkëpunimin rajonal ne e kemi prioritet dhe tashmë kemi mbajtur mbledhje të përbashkëta të dy qeverive edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe me Republikën e Shqipërisë. Kemi pasur vizita të ndërsjella me Greqinë, por nuk mendoj që projekte e tilla, që edhe ashtu nuk do të mund të fillonin para shumë vjetëve, diku nga fundi i kësaj dekade, do të mund ta cenojnë bashkëpunimin e mirë që kemi me të gjitha vendet e rajonit, mbase me përjashtim të fqinjit tonë verior.

Zëri i Amerikës: I përmendët mbledhjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të dyja janë pjesë e nismës Ballkani i Hapur që e keni refuzuar deri tani Ka ndonjë gjasë që Kosova të ndryshojë qëndrimin ndaj kësaj nisme e cila po merr formë?

Albin Kurti: Së pari, Ballkani nuk është vetëm tri shtete, Ballkani nuk është as gjashtë shtete sa është hapësira e Ballkanit Perëndimor ende të paintegruar në BE. Ballkani është së paku 12 shtete…

Zëri i Amerikës: Por të tjerat janë ne BE, tashmë janë të rregulluar…?

Albin Kurti: Por, nëse e quajmë Ballkan dhe Ballkan i Hapur, besoj se testi i së vërtetës është hapja e Serbisë ndaj Kosovës. Ata nuk i pranojë as dokumentet tona të udhëtimit, kartat e identitetit, nuk i pranojnë as vulat, certifikatat dhe diplomat tona, prandaj me një Serbi të mbyllur për Kosovën, nuk e di se si mund te kemi Ballkan të Hapur. Ndërkaq, në një rrafsh edhe më individual do të thosha, besoj që kështu ndjehen shumica dërmuese e qytetarëve të Republikës sonë. As si përcaktim politik as si ndjeshmëri kulturore, unë nuk u përkas atyre që besojnë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Unë jam i bindur që Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi e kanë vendin e tyre në NATO dhe BE.

Zëri i Amerikës: Por, a nuk e dëmton Kosovën një farë vetizolimi nga kjo nismë ndërsa ajo ka nevojë për thyerjen e pengesave dhe për qasje më të gjerë në një treg më të madh dhe për sigurimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit?

Albin Kurti: Kurrë nuk ka pasur Republika e Kosovës më shumë vizita të zyrtarëve të lartë politik e diplomatik të perëndimit sikurse në vitin 2021. Dhe gjithashtu, kurrë nuk ka pasur pritje më të larta për zyrtarët tanë sikurse në këtë vit. Mbase vetëm viti 1999 pas çlirimit do të mund të ketë pasur më shumë vizita nga jashtë në vendin tonë. Në anën tjetër ne marrim pjesë në procesin e Berlinit. Për tregun e përbashkët rajonal kemi shprehur gatishmërinë tonë dhe interesimin tonë. Gjithashtu, theksojmë se investimet janë shumë të rëndësishme në rajon. Por, këto duhet të bëhen duke pasur respekt të ndërsjellë dhe barazi të të gjithëve. Iniciativat që vijnë nga Beogradi, unë e kam përshtypjen e fuqishme se dëshirojnë që të krijojnë një platformë pa BE-në. Ne dëshirojmë që BE-ja të jetë në çdo iniciativë rajonale edhe si mekanizëm, por njëkohësisht edhe si vlerë. Nuk preferojmë që edhe më tej në Ballkanin Perëndimor të ketë fonde të BE-së pa vlera evropiane.

Zëri i Amerikës: BE-ja mbështeti nismën përmes komisionarit për zgjerim, ndërsa nisma është mbështetur nga diplomacia amerikane dhe vet zoti Gabriel Escobar ka theksuar se mbështet nismën që nuk e zëvendëson BE-në. A nuk janë garanci të mjaftueshme që Kosova ta tejkalojë do thosha njëfarë vetizolimi të saj?

Albin Kurti: Unë jam i bindur që mbështetja që vjen nga perëndim për Ballkanin e Hapur, është më shumë nga motivi që të mos i dilet kundër idesë, sesa të përkrahet projekti si i tillë. Pra, nuk duan ta kundërshtojnë idenë, por nuk është se aktivisht po marrin pjesë pastaj në projektin e tillë. Dhe të mos harrojmë që tek këto tri shtete që po marrin pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur, vetëm njëri shtet e ka pajtimin edhe të presidentit edhe të kryeministrit; Serbia.

Zëri i Amerikës: Kundërshtimi i nismës sikur shkaktoi çarje në marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë. Përse një nismë që synon afrim mes vendeve të Ballkanit po thellon ndarjet në mes të dy vendeve që marrëdhëniet e tyre i kanë cilësuar vëllazërore?

Albin Kurti: Besoj që mospajtimi ynë rreth iniciativës për Ballkanin e Hapur, që në fakt e ka origjinën në Novi Sad, është dëmtim i raporteve tona që vlen për t’u përmendur. Marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Tiranës janë ndër ë të mirat në Kosovën e pasluftës…

Zëri i Amerikës: Edhe midis kryeministrave?

Albin Kurti: Padyshim. Por ne kemi mospajtime edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe brenda partive politike nganjëherë kemi mospajtime edhe brenda kabineteve qeveritare e lëre më midis dy kryeministrave. Por, me vet faktin që përmendet kaq shumë ky mospajtim, besoj që kjo tregon se në fakt, ka fare pak ose aspak mospajtime të tilla.

Zëri i Amerikës: Marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë shfaqen përgjatë gjithë zhvillimeve në Ballkan. Aktualisht procesi i bisedimeve është në rrugë pa krye. Çfarë mund të zhbllokojë këtë proces dhe cilat janë pritjet tuaja?

Albin Kurti: Edhe kryenegociatorja e dikurshme e Kosovës, zonja (Edita) Tahiri, e pat përmendur para disa viteve që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë praktikisht janë ndalur kur është hedhur në tryezë projekti i shkëmbimit të territoreve. Pra, nuk është se ne ndaluam dialogun, përkundrazi, ne i patëm dy takime në Bruksel dhe patëm një marrëveshje për reciprocitetin e targave, e cila po zbatohet edhe derisa po e zhvillojmë këtë intervistë. Ndërkaq ,dialogu besoj që ngadalë, por sigurt, po vendoset ne binarët e duhur, e ato janë binarët e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, sipas vlerave evropiane me qytetarët si përfitues të mbramë dhe në qendër ta ketë njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë se aktualisht realiteti është ai i një mosnjohjeje reciproke.

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë pritje edhe në afate kohore? Brenda mandatit tuaj? Më vonë?

Albin Kurti: Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të duhej të përfundonte brenda të mandatit të qeverisë së Republikës së Kosovës e që koincidon, që përputhet edhe me mandatin e presidentit amerikan, Joe Biden dhe atë të Komisionit aktual Evropian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen dhe me zëvendësin e saj, përfaqësuesin e lartë për politikën e Jashtme dhe atë të sigurisë, zotin Josep Borrell.

Zëri i Amerikës: Herën e fundit kur u takuat me zotin Borrell, doli në pah mospajtimi juaj i thellë rreth çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si do ta tejkaloni këtë çështje?

Albin Kurti: Unë i kam theksuar çdo herë në Bruksel parimet që duhet t’i ketë dialogu dhe bisedimet, e ato janë në fakt vlerat evropiane, demokratizimi, sundimi i ligjit, ballafaqimi me të kaluarën dhe njëkohësisht një lloj simetrie apo reciprociteti i të drejtave të pakicave kombëtare, sepse pa një lloj simetrie të tillë nuk do të mund të kemi paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë. Tash Asociacioni i komunave serbe është një kërkesë e Beogradit si një instancë e lartë shtetërore

Zëri i Amerikës: Kërkesë e Beogradit por e sanksionuar në një marrëveshje ndërkombëtare?.

Albin Kurti: Nuk është marrëveshje ndërkombëtare meqenëse nuk është ratifikuar asnjëherë në Serbi, njëra palë nuk e pranon si marrëveshje ndërkombëtare dhe le të mos harrojmë që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë. Në vitin 2013 njëmend janë vendosur parimet e atij asociacioni, mirëpo substanca ka ardhur në vitin 2015 dhe ajo praktikisht u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Bindja ime është se Serbia synon të krijojë brenda Kosovës një ngrehinë që do të ishte edhe më legjitime ndërkombëtarisht se sa shteti i Kosovës, sepse paramendojeni një Asociacion të komunave me shumicë serbe të instaluar në Kosovë ashtu siç e ka dashur Serbia, ai do të njihej edhe nga Kosova edhe nga Serbia ndërkohë që Republika e Kosovës do të vazhdonte të mos njihet nga Serbia, mbase edhe shtetet tjera në BE edhe më tej e sidomos nga dy superfuqitë të cilat janë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Pra, ka një synim të mbrapshtë që brenda Kosovës të krijohet një ngrehinë legale e juridike e cila jo vetëm që është në shërbim të Beogradit, por edhe bëhet ndërkombëtarisht me legjitimitet edhe më të lartë se sa vet shteti i pavarur i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje brenda marrëveshjes por në tekstin e saj përafërsisht thuhet se Asociacioni duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së vitit 2013. Do ta pranoni një gjë të tillë?

Albin Kurti: Unë besoj se Gjykata Kushtetuese thotë kështu meqenëse e kemi pasur një ratifikim të atyre parimeve të marrëveshjes me 26 qershor të vitit 2013 për marrëveshjen e 19 prillit të atij viti dhe është interesante se si Serbisë menjëherë, një apo dy ditë pasi që ratifikohet në Kuvendin e Republikës marrëveshja e parë e parimeve, i çelen negociatat për anëtarësim në Bashkim Evropian. Ne pësojmë dëme në funksionimin e brendshëm ndërkaq Serbia avancon së jashtmi. Gjykata Kushtetuese e kufizuar nga një ratifikim i tillë në Kuvendin e Republikës më duket që është ndjerë në një çikë sikleti dhe ka thënë se nuk e kundërshton në parim idenë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por pastaj thotë se asnjëri prej shtatë kapitujve të atij asociacioni nuk është në përputhje me Kushtetutën e cila lëndohet në plot 23 nene, jo në dy apo tri nene, por në 23 nene.

Zëri i Amerikës: Por si do ta kaloj kryeministri Kurti ‘sikletin’ e trysnisë që ushtrohet mbi të për themelimin e Asociacionit?

Albin Kurti: Me durim dhe punë. Unë jam zgjedhur si kryeministër i Republikës së Kosovës pas 14 shkurtit që ishte një fitore plebishitare, që ishte një fitore e paparë në Kosovën e pasluftës dhe zotimet tona kanë qenë për punësim dhe drejtësi, këto janë prioritetet tona gjithashtu, është e pandemia të cilën po e menaxhojmë mjaft mirë dhe nuk e përjashtojmë dialogun, jemi të gatshëm dhe të hapur për diskutime e bisedime, mirëpo ato duhet të jenë vetëm bisedime për statusin e marrëdhënieve të raportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo për statusin e Kosovës. Pra, nuk bisedojmë për statusin e Kosovës i cili jo vetëm që është ai i një shteti të pavarur, por i një pavarësie që në katër vitet e para ishte e mbikëqyrur ndërkombëtarisht dhe në fund ishin vetë faktorët ndërkombëtarë që na e hoqën mbikëqyrjen në vitin 2012, na thanë mjaft me mbikëqyrjen tash pavarësia juaj do të jetë e plotë. Nuk mund të kthehemi as para vitit 2012 as para vitit 2008.

Zëri i Amerikës: E përmendët më herët mundësinë e një asimetrie ndërmjet dyja vendeve duke pasur parasysh gjendjen e pakicave. A po kërkoni kësisoj një status të ngjashëm me serbët në Kosovë për shqiptarët në Luginën e Preshevës?

Albin Kurti: Kjo u shtrua në takimin që kemi pasur në Bruksel me datë 15 qershor dhe në atë takim, meqenëse presidenti i Serbisë mundohej që të arsyetonte interesin e Serbisë si shtet i hidhëruar nga humbjet e së kaluarës, si përkujdesje për të drejtat e pakicave në Kosovë, unë thash le ta shohim se çfarë bën Serbia me pakicat në territorin e saj. Ata e kanë Këshillin Nacional të hungarezëve, të shqiptarëve dhe boshnjakëve, meqenëse ju besoni se jeni më të mirët le ta përdorim edhe në Kosovë këtë model. Pra unë e prezantoja kërkesën e tij si interes shtetëror të tij dhe e kundërshtova. Më pastaj ai (Aleksandër Vuçiç) e elaboroi kërkesën shtetërore si interes i pakicave dhe aty ishte shansi që unë të prezantoj se si Serbia e zgjidh çështjen e pakicave në territorin e saj, mirëpo natyrisht u hidhëruan edhe më shumë se sa ishin, meqenëse dëshironin të mbanin një lloj ofensive, një lloj hegjemonie ku ajo që vlen për vetën e tyre, nuk vlen edhe për ty dhe ajo që duhet të vlejë për ty nuk ka pse e zbatojnë te vetja e tyre. Nëse dëshiron që një kërkesë të jetë legjitime duhesh ta paramendosh kërkesën në formën e një parimi, mirëpo ata kanë vetëm kërkesa që refuzojnë që t’ua japin trajtën e një parimi, prandaj edhe simetria, balanci që e shtrova unë aty u refuzua me nervozizëm nga pala tjetër.

Zëri i Amerikës: Po ndërmjetësuesi, si reagoi?

Albin Kurti: Ndërmjetësuesi nuk reagoi meqenëse ishte më shumë i interesuar të kemi një rezultat se sa tek theksat e hollësive të atij diskutimi. Unë i konsideroj si ndërmjetësues por, fatkeqësisht, ata e konsiderojnë vetën vetëm si lehtësues dhe unë mendoj që kjo është një mënyrë se si Brukseli fatkeqësisht nuk po e zë vendin që e meriton dhe i cili na duhet të gjithëve. Fuqia e Brukselit mbi rajonin e Ballkanit Perëndimor, mbi Kosovën dhe Serbinë, është shumë më e madhe sidomos mbi Serbinë dhe një pjesë e madhe e kësaj fuqie që do të mund të mirë përdorej, fatkeqësisht nuk po ngjan.

Zëri i Amerikës: Për shumë kënd prania amerikane prandaj bëhet e domosdoshme. Nisur nga komunikimet tuaja, a ka gjasa, a ka mundësi për forcim të kësaj pranie?

Albin Kurti: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mirë të informuara dhe na njohin të gjithë neve tejet mirë, natyrisht që ne e mirëpresim gjithmonë rolin dhe kontributin amerikan, mirëpo për momentin intensitetin dhe formën e angazhimit të tyre ata e dinë vet më së miri.

Zëri i Amerikës: Integrimet evropiane lidhen me procesin e bisedimeve dhe nëse mund të them kësisoj, karota që u ofrohet palëve për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet tyre është pikërisht ky integrim ndonëse Kosova është e fundit në rajon. Por. me një Bashkim Evropian të tillë që është sot i lodhur nga zgjerimi, i rezervuar nga zgjerimi, cila mund të ishte realisht karota për të nxitur palët për një marrëveshje?

Albin Kurti: Së pari prioritet i yni është normalizimi i Kosovës, nuk e mohoj rëndësinë e normalizimit të raporteve me Serbinë me njohjen reciproke në qendër mirëpo, mua më nevojitet që t’i dal zot qytetarit në përputhje me vullnetin e tij për normalizim të Kosovës dhe ne po e dëshmojmë që është e mundshme që ndonëse s’e kemi zgjidhur çështjen me Serbinë, megjithatë ne mund të funksionojmë si shtet i suksesshëm dhe të forcohemi. Ta zëmë investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë këtij 9 mujori të parë të vitit 2021 ishin 53 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe 80 për qind më të larta se në vitin 2019. Kemi një qeveri që ka administruar 1 milionë e 600 mijë doza të vaksinave pa konsideruar asnjëherë Federatën ruse dhe Kinën si opsion, vetëm vaksinat e miratuara nga EMA dhe FDA pra evropiane dhe amerikane dhe në të njëjtën kohë nga 773 raste ditore brenda mesatares javore që i kishim para 9 muajve kur hymë në zyrë, kemi rënë vetëm në 9 raste. Popullsia mbi moshën 18 vjeçare është vaksinuar me së paku një dozë mbi dy të tretat dhe me dy doza mbi 60 për qind. Qytetarët mund të vaksinohen pa caktuar termin dhe madje pa qenë shtetas të Republikës sonë dhe unë i inkurajoj ata që nuk e kanë bërë që ta bëjnë e ata që tashmë e kanë bërë, ta marrin edhe dozën e tretë. Të hyrat tatimore janë rritur në Kosovë, i kishim mbi 588 milionë të hyra tatimore nga Administrata Tatimore sivjet ndërkaq nga Doganat e Kosovës, i kemi të hyrat 1 miliardë e 320 milionë euro sivjet. Të hyrat tatimore janë për 26 për qind më të larta se viti paraprak, 12 për qind më të larta se sa viti 2019 dhe 28 për qind më të larta se viti 2018. Doganat janë mbi një të tretat më të larta se viti i kaluar, për 17.5 për qind më të larta se viti 2019 dhe për 21 për qind më të larta se viti 2018. Pastaj kemi regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje. Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që tremujori i dytë i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3 për qind ndërkaq tremujori i tretë i kishte 14.5 për qind. Eksportet janë rritur 60 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe madje 90 për qind krahasuar me vitin 2019 ndërkaq të hyrat buxhetore janë 30 për qind më të larta, që tregon se qytetarët kur e shohin një qeveri të pakorruptuar janë më shumë të gatshëm të paguajnë taksa dhe kontribute, ndërkaq kur kanë shpresë për të ardhmen po ashtu më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë. Këto janë shifra të një shteti i cili po avancon nga një bazë e ulët, mirëpo po ecën përpara dhe në kontrast me rrëfimin e pavërtetë të Serbisë se Kosova është një shtet i dështuar, qeveria jonë po tregon që edhe vlerat demokratike evropiane por edhe progresi shoqëror dhe ekonomik në Kosovë, jo vetëm se janë të mundura por tashmë po ngjajnë.

Zëri i Amerikës: Pas këtyre të dhënave që ju i radhitet si suksese të qeverisë suaj ndryshe nga shkurti i vitit 2021 kur ju fituat me mbi 50 për qind, tetori dhe zgjedhjet lokale nuk e përsëritën një sukses të tillë. Si shpjegohet zoti kryeministër?

Albin Kurti: Është e vërtetë se në zgjedhjet lokale patëm një rezultat të pakënaqshëm për subjektin tonë politik, mirëpo Kosova tregoi një pjekuri demokratike të jashtëzakonshme. Ishin zgjedhjet e para që organizoheshin me mua si kryeministër. Edhe më 14 shkurt të vitit 2021 edhe më 17 tetor e 14 nëntor të këtij viti me zgjedhjet lokale, Kosova ka treguar se opozita mund të fitojë, që është kushti thelbësor për një situatë demokratike. Tash aq shumë është rritur mbështetja jonë në elektorat në fillim të këtij viti sa që në fund të këtij viti të preokupuar shumë me qeverisjen qendrore nuk kemi arritur as për së afërmi të krijojmë struktura të gjera dhe organizatë të madhe për ta përthekuar atë mbështetje dhe kjo besoj që na u shfaq në rezultatin jo të kënaqshëm. Më pastaj, faktor tjetër besoj se ka qenë edhe pandemia, ku subjekti ynë politik që është i njohur për tubime të mëdha, në kushte të pandemisë ne mund të mbanin vetëm tubime të vogla ndërkohë që për tubime të mëdha nuk kemi gjetur si organizatë ende zëvendësim. Pra, me aq sa dimë po i nxjerrim mësimet e duhura dhe do të bashkëpunojmë me komunat e Kosovës për zhvillimin dhe përparimin e të gjithëve, duke mos lënë mbrapa askënd.

Viti 2021, vit i suksesshëm financiar në Kosovë

Prishtinë

Banka Qendrore e Kosovës në konferencën përmbyllëse për vitin 2021 ka thënë se viti 2021 ka qenë vit i suksesshëm financiar në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti tha se për këtë sukses kanë ndikuar politikat lehtësuese për masat anti-COVID-19 të marra nga Qeveria por edhe ato të vet Bankës Qendrore.

“Lehtësirat e qytetarëve brenda dhe jashtë shtetit bëri që viti 2021 të jetë një vit i suksesshëm duke pasur parasysh ardhjen e masive të diasporës gjatë verës dhe njëkohësisht politikat mbështetëse të Qeverisë së Kosovës dhe politikat mbështetëse të Bankës Qendrore të Kosovës bënë që viti 2021 sipas vlerësimeve tona të ketë rritje ekonomike në vend prej 9.9 për qind”, tha Mehmeti.

Guvernatori Mehmeti tha se viti 2021 nisi me perspektivë të pasigurt për shkak të vitit paraprak dhe rënies prej 5.3 për qind të ekonomisë në vitin 2020 por gjërat ndryshuan me ardhjen e mërgatës në Kosovë.

Mehmeti tha se remitancat sivjet kanë qenë 956 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth 20 për qind, gjë e cila, siç tha ai, bëri që të rriten kërkesat e brendshme dhe importi.

“Importi me të dhënat e fundit që ne kemi në dispozicion shënoi vlerën prej 4.2 miliardë euro dhe nëse e krahasojmë kemi rritje vjetore prej 42.5 për qind. Në anën tjetër eksporti i mallrave arriti në 684.7 milionë euro apo me një rritje rreth 60 për qind. Si rrjedhojë e kësaj bëri që të rritet edhe deficit tregtar që në vlerë financiare të shprehur shënon 3.5 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 39.6 për qind”, tha Mehmeti.

Sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre sipas BQK-së deri në shtator të vitit 2021 arriti në 389 milionë euro krahasuar me 254 milionë euro sa ishte në vitin e kaluar.

Investimet e huaja direkte në Kosovë u dominuan sipas këtij institucioni në sektorin e patundshmërisë, ku 256 milionë euro janë vetëm në këtë sektor ndërsa 87 milionë euro në shërbime financiare.

Kosova në terr

Korporata Energjetike e Kosovës njofton herë pas here për rënien e blloqeve nga sistemi duke bërë që me orë të tëra lagjet nëpër vendbanime të mos kenë rrymë. 

Luljeta Krasniqi – Veseli

Qytetarët në Kosovë, nga e mërkura e 22 dhjetorit, përballen me reduktime të energjisë elektrike.

Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) njoftoi se reduktimet pritet të zgjasin rreth dy orë në ditë, në kohë të ndryshme, dhe se do t’i prekin të gjithë konsumatorët, përveç atyre emergjentë.

Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistemin elektro-energjetik.

KEDS tha se është në pritje të instruksioneve nga KOSTT-i për kohëzgjatjen e reduktimeve.

“[Në mënyrë] që kriza të ketë ndikim sa më të vogël, KEDS apelon për kursim maksimal të energjisë elektrike dhe përdorim të formave alternative të ngrohjes, aty ku ka mundësi”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KEDS.

Për situatën e krijuar, disa fajësojnë politikën e mbi 20 vjetëve të fundit – kohë prejse Kosova ka dalë nga lufta. Të tjerë thonë se ka pasur mungesë strategjish dhe projektesh.

Termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B” në Obiliq aktualisht prodhojnë rreth 500 megavat energji elektrike në orë, ndërsa kërkesat janë për mbi 1,100 megavat në orë.

Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.

Korporata Energjetike e Kosovës njofton herë pas here për rënien e blloqeve nga sistemi.

Më 15 dhjetor, një rrjedhje në kaldajën e njësisë B1 të termocentralit “Kosova B” pamundësoi furnizimin me avull të ngrohtores “Termokos”. Kjo bëri që ngrohja për mbi 15 mijë konsumatorë në Prishtinë të ndërpritet për më gjatë se një ditë.

Për t’i plotësuar nevojat, Kosova është duke importuar rrymë, por me çmime më të larta, për shkak të krizës energjetike në botë.

Autoritetet paralajmërojnë se faturat e energjisë elektrike mund të shtrenjtohen për 7 për qind në muajt e ardhshëm.

Abazi: Faji i politikës 20-vjeçare

Dardan Abazi, hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore në Prishtinë (INDEP), thotë se situata aktuale është pasojë e vendimeve të politikës.

“Në 20 vjetët e kaluar, qeveritë e ndryshme kanë diskutuar për ndërtimin e termocentraleve të reja nga thëngjilli dhe nuk e kanë vënë Kosovën në binaret e një tranzicioni energjetik, i cili do të bazohej më shumë në prodhim të energjisë nga prodhues të decentralizuar”, thotë Abazi.

Sipas tij, mungesa e një strategjie të mirëfilltë ka bërë që Kosova të varet nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, ku çdo problemi teknik që ndodh, shndërrohet në ndërprerje të rrymës.

“Nuk i kemi reformuar as sistemet e ngrohjes, nuk kemi investuar që qytetarët të kenë ngrohje qendrore, nuk kemi investuar që ata t’i ndryshojnë kaldajat e ngrohjes, të cilat në një masë janë joefikase dhe harxhojnë shumë energji”, thotë Abazi.

Çeku: Problemet me rrymën, pasojë e mosndërtimit të “Kosovës së Re”

Në vitin 2005, Qeveria e atëhershme e Kosovës ka pasur një projekt për, siç është thënë, zgjidhjen e problemeve me rrymë. Projekti për ndërtimin e një termocentrali të ri, i quajtur fillimisht “Kosova C” e më pas “Kosova e Re”, nuk është realizuar.

Për Qeverinë e tashme, me në krye Albin Kurtin, ai “është i vdekur”, sepse nuk duhet investuar më në termocentrale me thëngjill.

Ethem Çeku, ministër i Energjisë i Kosovës në kohën kur është marrë vendimi për ndërtimin e termocentralit të ri, është i bindur se problemet në sektorin e energjisë janë pasojë e mosndërtimit të tij.

“Më duket që gabuam shumë rëndë kur nuk e zhvilluam projektin e termocentralit të ri. Këtu bëmë lëshime të mëdha, me kosto të mëdha financiare dhe zhvillimore”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, ndryshimet e herëpashershme në projekt, të bëra nga qeveritë e njëpasnjëshme, i kanë larguar edhe investitorët.

Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe, si e tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij burimi.

Mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit përdoren për termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Por, metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet se është e dëmshme për mjedisin dhe se ndikon negativisht në ngrohjen globale.

Çeku thotë se pasuria e linjitit duhet të shfrytëzohet.

“Edhe vendet e rajonit, edhe Evropa e përdorin në masë të madhe thëngjillin. Edhe në SHBA përdoret linjiti. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër pa e përdorur linjitin për prodhimin e energjisë elektrike. Format tjera janë forma ndihmëse”, thotë Çeku.

Kosova prodhon deri në 85 për qind të energjisë elektrike përmes termocentraleve me thëngjill dhe sasi shumë të vogla nga burimet e ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet fotovoltaike.

Ministria e Ekonomisë e Kosovës është duke hartuar Strategjinë e Energjisë për vitet 2022-2031.

Kjo strategji thuhet se do t’i analizojë të gjithë skenarët potencialë dhe të përballueshëm financiarisht për të rritur stabilitetin e furnizimit me energji elektrike, si dhe do të ofrojë mundësinë e integrimit sa më të madh të burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Qeveria: Kursejeni energjinë elektrike

Qeveria e Kosovës është duke kërkuar vazhdimisht nga qytetarët që ta kursejnë rrymën, ndërsa ka bërë të ditur se do të ndajë shumën e nevojshme të mjeteve, për mbulimin e importeve.

“Do të bëjmë maksimumin që të ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimeve të energjisë elektrike”, ka thënë këtë javë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Dardan Abazi, nga INDEP, thotë se Qeveria duhet të hartojë një sërë masash, për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, sepse ata nuk përballen vetëm me mundësinë e rritjes së çmimit të rrymës.

Kriza energjetike në botë – e shkaktuar kryesisht nga mungesa e gazit dhe rritja e çmimeve të gazit – ka rritur edhe çmimet e produkteve të tjera të konsumit.

Kosova, si vend që importon pothuajse të gjitha prodhimet, ka parë gjithashtu rritje çmimesh.

Rritja, e cila ka nisur nga muaji prill me 1.2 për qind, ka arritur në 5.7 për qind në muajin tetor, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se Kosova nuk ka pasur inflacion më të lartë se tash qysh në vitin 1999.

Ekspertë të ekonomisë, me vite, u kanë tërhequr vërejtjen qeverive të Kosovës, për të zhvilluar sektorin e prodhimit.

Kosova përballet me deficit të lartë tregtar. Brenda një viti, ajo importon mallra nga vende të ndryshme në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh, derisa eksporton deri mbi 450 milionë euro.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve në Kosovës, thotë se sektori i prodhimit duhet të përkrahet, në mënyrë që vendi të mos jetë krejtësisht i varur nga importi.

“Çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare prek edhe Kosovën”, thotë Panxha për Radion Evropa e Lirë.

Pas rritjes së çmimeve, kryeministri Kurti ka thënë se ekonomia duhet të riorientohet kah prodhimi.

Në muajin tetor, Qeveria e tij ka ndarë 40 milionë euro për subvencionimin e kredive për bizneset prodhuese dhe për mbështetjen e eksportit.

Situata në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor

Me krizë energjetike dhe rrjedhimisht rritje të çmimeve përballen edhe vendet e tjera të rajonit.

Sipas zyrtarëve, Serbia aktualisht konsumon një të tretën më shumë energji elektrike sesa që prodhon.

Serbia ka pësuar kolapsin e parë energjetik më 12 dhjetor, kur mbi 2,000 nënstacione kanë dalë jashtë sistemit dhe 136,000 njerëz kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e borës.

Disa zyrtarë kanë thënë se është përdorur qymyr me cilësi më të ulët dhe, menjëherë pas kësaj, katër zyrtarë të lartë në industrinë energjetike serbe janë pushuar nga puna.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë deri në fund të sezonit dimëror.

Çmimet e energjisë elektrike në Serbi janë rritur për 3.4 për qind më 1 shkurt.

Sa kushton energjia elektrike?

Në Maqedoninë e Veriut, në ditët në vijim pritet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Të tria kompanitë energjetike, të përfshira në prodhim, shpërndarje e faturim, kanë paraqitur kërkesa për rritje çmimesh.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut siguron se rritja nuk do të kalojë 10 përqindëshin.

Në Federatën e Bosnje e Hercegovinës, ndërkaq, është paralajmëruar rritje e çmimit të energjisë elektrike vetëm për kompanitë – nga 70 për qind deri në 300 për qind, varësisht nga kontrata.

Kosovë, hapet konferenca e 3-të Ndërkombëtare Shkencore për Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet

Prishtinë

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit në bashkëpunim me Universitetin e Sporteve të Tiranës si dhe komitetet olimpike të të dyja vendeve ka organizuar Konferencën e 3-të Ndërkombëtare Shkencore për Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca e cila mblodhi qindra mysafirë nga Kosova dhe Shqipëria do të zhvillojë punime në suaza të temave dhe nën–temave: edukimi fizik, sport, rekreacion, mjekësi sportive, marketing e menaxhim sportiv dhe aspekte psiko-sociale.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi tha se kjo konferencë është ngjarje e rëndësishme e cila pasqyron punën hulumtuese në aktivitete sportive në Kosovë dhe më gjerë.

“KOK ka synim që nëpërmjet bashkëpunimit me institucionet arsimore dhe sportive në vend të kontribuojë në avancimin e edukimit dhe kërkimeve shkencore në sport për çka muaj më parë kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, me qëllim që organizimet dhe aktivitetet e përbashkëta të aktiviteteve sportive në vend, të jenë gjithmonë të pranishme”, tha Krasniqi.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Shqipërisë, Fidel Ylli tha se ka mangësi sa i përket sportit për të gjithë dhe popullatës së thjeshtë pasi “jemi komb që 3 për qind e popullatës merren me aktivitet fizik”.

“Synimi ynë ka qenë që t’i bëjmë një presion Qeverisë dhe të fusim fjalën sport në Parlament dhe në Qeveri, sepse sporti të ndërron cilësinë e jetës, sporti është edukim, largon të rinjtë nga droga, nga alkooli, nga duhani, nga gjërat e këqija dhe bëhet një shoqëri më e shëndetshme. Ky ka qenë motivi ynë”, tha Ylli.

Ai tha se Kosova çlirimin më të madh e ka bërë në parakalimin në Lojërat Olimpike të Brazilit, ku parakalojnë 206 komitete olimpike dhe se njohja më e madhe e Kosovës u bë nëpërmjet sportit, Komitetit Olimpik, nëpërmjet xhudistëve Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Distria Krasniqi.

KOK shpërbleu në fund të hapjes së konferencës edhe disa prej figurave që kanë kontribuuar në këtë konferencë që nga fillimi, përfshirë profesorin nga Universiteti i Karamanit të Turqisë, Murat Tekin.

Mysafir special në këtë konferencë e cila zgjat dy ditë, do të jetë trajneri i xhudos, Driton Kuka si dhe dy kampionet olimpike të këtij sporti, Majlinda Kelmendi dhe Distria Krasniqi.

Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovë, krijohen kolona të gjata

Bashkatdhetarët nga shtet e ndryshme të Evropës janë nisur për t’i kaluar festat e fundvitit me familjet e tyre.

Gjatë kësaj rruge një pjesë e tyre presin në kolona të gjata, për të hyrë në pika kufitare të vendeve të Ballkanit, por edhe të Kosovës.

Këtë të diel, një pjesë e diasporës është duke pritur në kolona të gjata nga Hungaria për në Serbi, në pikën kufitare në Horgosh.

Ndërsa, në pikat kufitare të Kosovës, nuk ka pritje të gjata, pos Merdares ku pritjet për të hyrë në vend janë deri në 15 minuta.

Ministri i Mbrojtjes Mehaj priti në takim homologun e tij kroat Banozhiq

Me ceremoni të lartë shtetërore, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj ka pritur në vizitë zyrtare ministrin e Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banozhiq, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i dy ministrave në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u pasua edhe me takimin e delegacionit kroat të ministrisë me përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ku pas takimit, u nënshkrua edhe Marrëveshja e Mirëkuptimit midis Kosovës dhe Kroacisë.

Ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se dy popujt i bashkojnë sfidat e përbashkëta të ngjashme në të kaluarën, çka e ka forcuar dhe forcon miqësinë midis dy popujve edhe më shumë.

Miqësia e dy popujve, siç tha Mehaj, e ka pasur momentin kulmor në kontributin e kosovarëve në luftën në Kroaci, por, miqësia, për të mbetur e tillë, ai tha se nuk duhet t’i takojë vetëm historisë.

“Këtë miqësi e kurorëzojmë sot me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy ministrive tona, për mbrojtje dhe siguri. Me këtë hapen rrugët për bashkëpunim dhe hapen mundësitë më të ngushta sa i përket shkollimit, trajnimit të personelit ushtarak, zhvillimit të stërvitjeve të përbashkëta, mundësi për bashkëzbarkim në operacione dhe misione ndërkombëtare, bashkëpunim më të theksuar në fushën e mbrojtjes e gjithashtu edhe në fusha tjera”, tha Mehaj.

Ai theksoi se Kroacia gjithmonë ka treguar vullnet për ta ndihmuar Kosovën në çdo iniciativë, për çka tha se është mirënjohës dhe pret që bashkëpunimin ta vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banozhiq tha se takimi i sotëm me ministrin kosovar rikonfirmon marrëdhëniet e mira të dy vendeve.

Ai tha se bashkëpunimi i dy vendeve po vazhdon edhe brenda KFOR-it me praninë e oficerëve kroatë “në mënyrë që këtu të jetë jeta më e sigurt dhe stabile”.

“Kroacia si një shtet euro-atlantik mund t’i ofrojë ndihmë Kosovës në drejtimin e integrimit. Ne e përkrahim po ashtu anëtarësimin e Kosovës në institucione të ndryshme euroatlantike. Ne po ashtu e mbështesim transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë të armatosur dhe kjo është pjesë e memorandumit të bashkëpunimit. Po ashtu ne ofrojmë bashkëpunim në fushën e shkollimeve dhe trajnimeve dhe do të vazhdojmë ta bëjmë atë”, tha Banozhiq.

Ai tha se dëshiron që bashkëpunimi në mes të Kroacisë dhe Kosovës të vazhdojë, e njëri nga faktorët e raporteve të mira sipas tij është edhe kujdesi kosovar për komunitetin kroat të cilët jetojnë në Janjevë.

Kosova fiton 210 milionë euro nëse Danimarka merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë

VOA

Në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konfirmoi të enjten se ka një marrëveshje në parim me Danimarkën për t’i dhënë hapësira për 300 të burgosur, të cilët pas vuajtjes së dënimit do të dëboheshin nga Danimarka.

Danimarka po planifikon të marrë me qira qeli burgu në Kosovë për 300 të burgosur që pritet të dëbohen nga shteti në fund të dënimit të tyre.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka dhënë detaje lidhur me këtë marrëveshje në vlerë 210 milionë eurosh.

“Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. [210 milionë euro] do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtëritshme”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas njoftimit, marrëveshja mes dy palëve lidhur me këtë çështje pritet të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës.

Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

Projekti, i cili synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve, synon gjithashtu rritjen e kapacitetit të burgjeve të Danimarkës me 326 vende midis viteve 2022 dhe 2025, tha në një deklaratë Ministria daneze e Drejtësisë.

Në vitin 2020, rreth 350 të burgosur pritej të dëboheshin nga shteti në fund të dënimit të tyre.

Popullsia e burgjeve në Danimarkë është rritur për 19 për qind që nga viti 2015, duke arritur në më shumë se 4,000 të burgosur në fillim të vitit 2021, duke tejkaluar 100 për qind të kapacitetit sipas statistikave zyrtare.

Në të njëjtën periudhë, numri i gardianëve u tkurr për 18 për qind në këtë shtet skandinav me 5.8 milionë banorë, i cili njihet për burgjet e hapura për të burgosurit me dënime me më pak se pesë vjet.

“Do të kemi mungesë për deri në 1,000 vende në kapacitetet e burgjeve deri në vitin 2025”, tha në deklaratë Ministri i Drejtësisë, Nick Haekkerup.

“Me marrëveshje është rënë dakord që të merren me qira 300 burgje në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”, thuhet në deklaratë.

Kosova kishte 1,642 të burgosur në vitin 2020, përkatësisht 97 për qind të kapacitetit të saj, sipas Raportit Botëror të Burgjeve të Universitetit të Londrës.

Më parë Norvegjia dhe Belgjika kanë marrë me qira qeli burgu në Holandë.

Qeveria daneze tha se projekti synon të lehtësojë mbipopullimin e burgjeve që është rritur për 19 për qind që nga viti 2015. Ajo tha se numri i të burgosurve në Danimarkë ka arritur në më shumë se 4 mijë në fillim të këtij viti.

Ministri danez i drejtësisë Nick Haekkerup, citohet nga mediet daneze të ketë thënë se “është rënë dakord që të merren me qira 300 qeli burgu në Kosovë dhe të zgjerohet kapaciteti i burgjeve në Danimarkë për disa qindra vende”.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, tha se çështja është negociuar nga ish qeveritë dhe bëhet fjalë për burgun e qytetit të Gjilanit. Ajo tha se është arritur një marrëveshje në parim, për hollësitë e së cilës do të debatohet gjatë një vizite të ministrit danez të drejtësisë, javën e ardhshme.

Do ta vizitojmë edhe këtë qendër korrektuese. Kjo marrëveshje përfshinë edhe mbështetje financiarë për Kosovën, ndonëse unë detajet sot nuk mund t’i them sepse ato do të shpalosën shumë shpejt dhe po ashtu investim në energji të ripërtërishme, që është nevojë urgjente e Kosovës, por edhe mbështetje me donacione që lidhen me sundimin e ligjit”, tha ministrja Haxhiu, duke theksuar se marrëveshja nuk është nënshkruar ende dhe duhet të miratohet në parlamentin e Kosovës, meqë bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare.

Konsideroj që nëse Kuvendi i Kosovës i jep mbështetje kësaj marrëveshjeje, sepse na duhen dy të tretat e votave, atëherë konsiderojmë që përveç që do të fuqizojmë bashkëpunimin me shtetin e Danimarkës, do të kemi mundësi që të zhvillojmë institucionet tona përmes financave nga marrëveshja”, tha ajo.

Sipas ministres Haxhiu “të burgosurit nuk do të jenë të tillë që kanë vepra të terrorizmit ose probleme mendore. Pra ne kemi kërkuar që të mos përfshihen këta. Do të jenë persona që do të jenë të dënuar për krime tjera. Nacionaliteti po besoj që do të dihet nga ministri i drejtësisë i Danimarkës kur të vije në Kosovë dhe besoj që do të adresohen pyetje edhe në drejtim të tyre”, tha ajo.

Kjo është një shenjë e mirë që Danimarka vlerëson se si trajtohen të burgosurit në Republikën e Kosovës, sepse paraprakisht është bërë një vlerësim se si shtetet, posaçërisht ato të Ballkanit Perëndimor, i trajtojnë të burgosurit, sa respektohen të drejtat e tyre dhe Kosova ka dalë ndër vendet që më së shumti respekton të drejtat e të burgosurve, sepse natyrisht është barrë e rëndë edhe për Danimarkën që t’i dërgoj në një vend ku nuk respektohen të drejtat e burgosurve”, tha ministrja Haxhiu.

Praktika të tilla janë zbatuar në vendet evropiane edhe më parë, përfshirë Norvegjinë dhe Belgjikën që kishin marrë me qira qeli burgu në Holandë. voa-rel

Si ranë në pritë ushtarët e UÇK-së në Betejën e Pashtrikut, rrëfehet ekskluzivisht ushtari i mbijetuar

I mbijetuari i Betejës së Pashtrikut, Vesel Aruçi i njohur me nofkën “Rambo” ka rrëfyer ekskluzivisht në emisionin “Frontal” në T7, për këtë betejë.

Ai tha se edhe tani kur e viziton Pashtrikun ndihet keq dhe ka mall për bashkëluftëtarët që ranë në betejë. Aruçi tha se ishte me fat që nuk vdiq aty.

“Ndoshta se kemi pasur fatin me vdekë aty, se pastaj u dufke me u hakmarrë, me e marrë armatimin dhe me shku në beteja të tjera. Zoti ka dashtë që mos me mbetë të gjithë aty. Veç një hak që e kam marrë e kam vrarë një mercenar rus në kufirin me Shqipërinë, në Koshare. Ai ka qenë rasti më i mirë në hakmarrje të shokëve. Në bashkëpunim me shokë, por unë e kam pasur në afërsi dhe e kam vrarë”, ka thënë ai.

Aruçi foli edhe për një urdhër të dhënë nga komandanti Mujë Krasniqi, për t’i trajnuar 30 ushtarë që do të bëheshin pjesë e FSK-së.

“Ne kemi shkuar 24 herë në Shqipëri për të marr armatim. Kur kemi shkuar atje, para se me ra në pritë, jemi takuar me Mujë Krasniqin, Afrim Musliun e shumë shokë të tjerë. Mujë Krasniqi dhe Rifat Mziu më thanë që këta ushtarë ki me i stërvitë, sa të rrini këtu. Ndenjëm nja tri javë ditë. U ngritshim herët dhe i stërvitshim ata”, ka thënë ai.

Ushtari i mbijetuar i Pashtrikut foli edhe për nisjen e një grupi të ushtarëve nga Shqipëria në Kosovë.

“Ushtarët ishin të gjithë Kosovë. Më së shumti ka pasur të Drenicës dhe Shtimes, por edhe të rrethinës. Para se mu nis, Mujë Krasniqi na doli përpara dhe na tha kush nuk jeni për me u nis në Kosovë, ndaluni më mirë. Krejt kem të gatshëm për luftë”, tha më tutje ai për “Frontal”.

Ai foli edhe për bartjen e armatimit nga Shqipëria në Kosovë. Vetëm ai tha se i ka bartur afër 60 kg armatim.

“55-60 kg armatim i kam pas përafërsisht”, tha ai.

Aruçi foli edhe për momentin që ranë në pritë.

“Nja 20 minuta pasi jemi nisur nga Shqipëria, posa filloi të zdritet dita na kanë dalë në të dy anët.  Kemi qenë në një luginë duke ecur dhe sa kanë mundur na kanë gjujtë në të dy anët. E di vetën jam çu dhe kam thënë djem mos u dorëzoni dhe kemi gjujtë sa kemi mujtë. Edhe vet kem luftu, edhe Mujë Krasniqi ka luftu. Çdo ushtarë ka luftu, po normal që dikush e ka pas edhe vdekjen”, ka thënë ai. /Gazeta Express/

Prokuroria jep detajet e fundit për tre të arrestuarit për vrasjen në Gllogjan

Tre të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit dyshohen për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, tha zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi para mediave, pasi Prokuroria dorëzoi kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj tyre, raporton Gazeta Express.

Nikçi tha se kërkesa e prokurores së rastit u elaborua sot në seancën e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Pejë.

“Tre persona janë ndaluar për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan dhe plagosjen e një personi, me ç’rast prokurorja e çështjes brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Me ç’rast, kjo kërkesë është elaboruar sot gjatë seancës e procedurës paraprake dhe shpresojmë që gjyqtari të marr vendim për këtë kërkesë”, tha Nikçi.

Ai theksoi se “Çështja është e ndjeshme, andaj duhet të jemi të rezervuar”.

Nikçi tha shpreson që gjykatësi ta marrë vendimin e duhur.

Mbrëmë, Halil Mehmetaj është arrestuar bashkë me dy djemtë e tij, Kreshnikun e Malsorin,si të dyshuar për krimin mizor të mbrëmjes së 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit. Ata sot kanë dalë për herë të parë para Gjykatës, ndërsa pritet t’u caktohet masa e paraburgimit, sipas kërkesës së Prokurorisë

Një ditë pas sulmit ndaj autobusit që ua mori jetën dy nxënësve dhe shoferit, Halil Mehmetaj kishte folur për mediat, duke e përshkruar ngjarjen si të tmerrshme. Në një paraqitje për televizionin publik, ai u kishte shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.

A është vetëvrasja e studentes në vitin 2020, shkak i vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Në mbrëmjën e 26 nëntorit vendi u trondit nga vrasja e tre personave në Gllogjan të Deçanit. Autobusi që po qarkullonte nga Gjakova për në Gllogjan u sulmua me kallashnikov me ç’rast u vra shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Prokurorja e çështjes tha se në drejtim të autobusit u zbraz pothuajse një karikator. Pas 15 ditësh, organet e rendit kanë prangosur tre persona të dyshuar për këtë rast dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Kjo u bë e ditur mbrëmë me anë të një konference të jashtëzakonshme të organizuar nga Prokuroria Themelore e Pejës. Mirëpo gazetarët nuk u lejuan të bënin pyetje, ani pse në media dolën versione të ndryshme rreth motivit që dyshohet se la të vdekur tre persona.

Para mediave u paraqit kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës Agim Kurmehaj.

Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar tre persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”, ka thënë kryeprokori Agim Kurtmehaj.

“Nuk mund të japim informata të tjera që do të mund ta dëmtonin procesin e hetimeve. Ne si Prokurori zotohemi se edhe pas arrestimit të tyre, do të vazhdojmë me intensitet të shtuar për ta ndriçuar këtë rast deri në fund. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, nuk mund të marrim pyetje”, potencoi Kurtmehaj.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar pas konferencës për media nga Prokuroria e Shtetit ku u njoftua se janë arrestuar tre persona për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshehet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili.

Ndërsa kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj i ka përgëzuar organet e rendit për arrestimin e tre personave.

“I përgëzoj organet e drejtësisë, në zbardhjen e rastit, konkretisht në kapjen e të dyshuarve në lidhje me vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në Gllogjan. I inkurajoj organet e rendit të shtetit tonë, që të mos ndalen deri në zbardhjen përfundimtare të vrasjes makabre në Gllogjan!” shkroi Ramosaj.

Sipas raportimeve tre të arrestuarit janë familjarë të një vajze nga Gllogjani që kishte bërë vetëvrasje në vitin 2020.

Sipas “Paparacit”, dyshohet se motivet e këtij sulmi lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze (emër i njohur për redaksinë) nga Gllogjani. Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Por këto raportime nuk janë konfirmuar akoma nga organet e rendit.

Për vetëvrasjen e vajzes dhe studentes së shkëlqyer ishte shpehur i tronditur atë kohë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.

Arrestohen tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

VOA

Prokuroria Themelore në Pejë njoftoi të shtunën mbrëma se janë arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e trefishtë të 26 nëntorit, në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 90 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Tre persona u vranë nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus. Shoferi dhe dy të rinj të lindur më 2003 dhe 2004 humbën jetën.

Kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, tha se institucionet e rendit do të vazhdojnë edhe më tej hetimet për ndriçimin e plotë të incidentit.

Tre të arrestuarve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orësh. Kryeprokurori Kurmehaj nuk dha më shumë hollësi për shkak të siç tha “ndjeshmërisë së çështjes”.

Incidenti i 26 nëntorit nxiti reagime në shkallë të gjerë të institucioneve vendase e ndërkombëtare ndërsa qeveria e Kosovës ofroi një shpërblim prej 20 mijë eurosh, për këdo që jep informacion që do të mundësonte arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjes së tre personave.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti lajmin për arrestimin e të dyshuarve, duke theksuar se “ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshihet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili”.

(Video) ‘Betonizues i Tiranës, vrasës i Ardit Gjoklajt’, studentët i prishin takimin, Veliaj u lëshon truprojat

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nuk i ka duruar kritikat e studentëve në takimin e zhvilluar sot me rastin e Ditës së Rinisë, 8 Dhjetori. 

Skandali ka ndodhur në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.

Aktiviteti i planifikuar me regji qendrore nga Erion Veliaj, doli nga skenari dhe turbulloi organizatorët që i kishin garantuar kryebashkiakut një takim pa bezdisës.

Një grup të rinjsh ngritën zërin për problemet me të cilat përballen në Tiranë e gjithë vendin.

Akuzat e forta, për argumente që ndër vite janë kthyer në pikëpyetje të mëdha mbi punën dhe profilin e tij politik, si vrasja e Ardit Gjoklajt apo betonizimi  i Tiranës nga kullat shumëkatëshe, nuk morën përgjigje nga Erion Veliaj.

Edhe pse studentët kishin të drejtën e pamohueshme për t’i kërkuar llogari Veliajt pikërisht në ditën kur vlerësohet guximi i rinisë së para 30 viteve, kryetari i Bashkisë iu vërsuli atyre truprojat e tij.

Ata u nxorën forcërisht jashtë nga shoqëruesit e Erion Veliajt.

Kjo nuk është hera e parë që Veliaj kontestohet nga qytetarët e Tiranës dhe të rinjtë, kryesisht studentë.

Ata nuk pajtohen me modelin shkatërrimtar si po e qeveris Tiranën i pari i qytetit. Betonizimi dhe pallatet shumëkatëshe që po ndërtohen në çdo cep po shkatërrojnë urbanizimin e qytetit si dhe po e bëjnë Tiranën të pajetueshme. Sikurse Veliaj nuk ka mbajtur përgjegjësi, madje ka tentuar ta fshehë, vrasjen tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj te fusha e mbetjeve në Sharrë.

Megjithatë, situata të tilla do të ketë vazhdimisht për Veliajn me të cilat ai do të duhet të përballet kudo, pavarërisht se ka pas vetes një armatë të tërë truprojash dhe kujdestarësh për të censuruar çdo zë që i trazon rehatinë.

Financonin politikanët për të fituar në zgjedhje- SHBA godet grupin serb në veriun e Kosovës, vendos sanksione ndaj Zvonko Veselinoviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij (Lista)

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zvonko Veselinoviç ishte i pari në syrin e zyrës së Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit .

Veselinovic udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar Zvonko Veselinovic (OCG), është një nga figurat e korruptuara më famëkeqe të Kosovës. OCG e Veselinovic është e angazhuar në një skemë të madhe ryshfeti me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët. Nga fundi i vitit 2017, Veselinovic dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinovic (Zharko)kishte marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitonte zgjedhjet, të siguronte fitore politike për kandidatët e tyre dhe të kontribuonte me shuma të mëdha parash për kandidatët. Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre dhe ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme të biznesit pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe, dhe gjithashtu do të ofronin informacion të pronarit të biznesit për të mbështetur investimet e biznesit të vëllezërve.

Përveç tij në listë janë edhe:

Zharko Veselinoviç (i vellai)

Zhelko Bojiç

Milan Mihajloviç

Sinisha Nedeljkoviç

Radovan Radic

Milan Radisavleviç

Milojko Radisavleviç

Milan Radojçiç

Marko Rosiç

Radule Steviç

Milivoje Vuloviç bw

‘Shënjestra ka qenë shoferi, të rinjtë janë vrarë aksidentalisht’: Eksperti analizon vrasjen e nxënësve

Prishtinë – Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan, cak i sulmit ishte shoferi, kurse sipas tij, dy vrasjet tjera ndodhën aksidentalisht.

“Pa marrë parasysh asnjë krim, nuk mund të jetë i përkryer dhe i planifikuar në mënyrë të përkryer. Mendoj që në bazë të asaj që kemi parë nga mediat në vend të ngjarjes ose në ballinën e autobusit, ku është xhami më i madh, vrasësi ka pikasur shoferin e autobusit, por i kanë ikur edhe dy plumba anash. Me ata dy plumba që është gjuajtur shoferi janë vrarë edhe dy të rinjtë tragjikisht” tha ai në Klan Kosova.

“Në fotografi mund të shihni që rreth shoferit është një rreth koncentrik prej pesë plumbave dhe targeti primar i vrasësit ka qenë shoferi. Ne mund të flasim edhe për motivin e tij dhe të paragjykojmë, por derisa të gjindet vrasësi dhe të përcaktohet motivi, nuk mund të dimë pse janë vrarë këta njerëz në një vend të banuar”.

Musliu, në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që bazuar në rrethanat – vrasësi e ka pasur edhe një ndihmës.

“Për çudi, është mungesë e besimit ndoshta tek organet e policisë dhe ndjekjes. Askush nuk di asgjë që është e pamundur në një krim ose vrasje. Vrasësi ose porositësi është gjithmonë afër. Nuk mund të jetë jashtë rrethit të parë të të vrarëve. Rrethi i parë është që është shumë afër atyre që janë vrarë, mund të jetë komshi, kushëri, mik ose i njohur, por aty diku është, s’mund të jetë jashtë atij rrethi – dorasi ose porositësi”, ka thënë Musliu.

Përparim Rama betohet si kryetar i Prishtinës

Përparim Rama ka dhënë betimin si kryetar i kryeqytetit, para anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës, raporton Express

Në mbledhjen inauguruese të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, janë betuar anëtarët e rinj të kuvendit dhe kryetari i ri i kryeqytetit, Përparim Rama.

“Nga sot, ne iu përvishemi punëve. Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, të moshuarave, prindërve, sportistëve e artistëve. Vend plot mundësi, qytet i gjelbër. Me trafik të komunikueshëm e i digjitalizuar”, ka deklaruar kryetari Rama.

“Të nderuar asamblistë, si kryetar i Prishtinës, do të bashkëpunoj me secilin prej jush, për të mirën e kryeqytetit, për Prishtinën”, ka thënë Rama.

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës doli fitues në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku ishte në garë me Arben Vitinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Hasan Prishtina, Hasan Shkupi dhe Hasan Tirana: Ekspozitë me dokumente arkivore kushtuar veprës së Hasan Prishtinës

Në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Prishtinës, është hapur ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

Me logon Hasan Prishtina, Hasan Shkupi dhe Hasan Tirana, miq dhe veprimtarë të shumtë kanë kujtuar veprat e tij të shumta, të cilët kanë kujtuar edhe veprat e tij kur ishte edhe kryeministër në Shqipëri.

Kjo ekspozitë u mundësua nga Instituti i trashëgimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve me seli në Shkup dhe arkivit shtetëror me seli në Tiranë.

Drejtori i IKSHKSH-së Skënder Hasani, tha se ky institut 2021 e shpalli vitin e Hasan Prishtinës, e më pas ai tregoi arsyet se pse u quajt Hasan Prishtina, Hasan Tirana dhe Hasan Shkupi.

Hasani: IKSHKSH në Shkup 2021 e shpalli vit të Hasan Prishtinës

“Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (IKSHKSH) në Shkup në vitin 2021 e shpalli vitin e Hasan Prishtinës, 100- vjetori i qenies së tij kryeministër i Shqipërisë londineze, por me synim që të kthehen pozicionet. Kjo moto që e kemi shkruar Hasan Shkupi, Prishtina dhe Tirana çfarë kuptimi ka? Hasan Prishtina jetonte në Shkup, vepronte në Shkup dhe udhëheqtë lëvizjen kombëtare shqiptare në Shkup. Nën dy pse Prishtina, për shkak se e kishte prefiksin Hasan Prishtina dhe nder ishte që edhe gjatë periudhës së Rilindjes deri më tani ishte një lëvizje kombëtare, por edhe lufta e fundit ishte princip nga Hasan Prishtina për mobilizim dhe rezistencë, ndërsa pse Tirana sepse në Tiranë ai u bë kryeministër”, ka thënë ai.

Ardit Bido, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), thotë se Hasan Prishtina është personalitet që kulmoi në çlirimin e Shkupit.

Bido: Hasan Prishtina ishte deputet shqiptar

“Hasan Prishtina ishte deputet shqiptar në parlamentin osman, jo të gjithë deputetët që ishin aty ishin deputetë shqiptarë, kishte shumë të cilët ishin deputetë osmanë me origjinë shqiptare, nuk është rasti i Hasan Prishtinës udhëheqësit ideologjik të nacionalizmit shqiptar së bashku me shumë veprimtarë tjerë të Rilindjes dhe ndër momentet e Hasan Prishtina është një gjetje shumë e mirë e pasardhësve, institutit dhe të tjerëve që e prezantojnë Hasan Shkupi, Hasan Prishtina dhe Hasan Tirana. Është individi, i cili frymëzoi kryengritjen e Shqipërisë së Veriut, që kulmoi në çlirimin e Shkupit, Shkupi është çliruar nga shqiptarët, ky është një fakt historik dhe Hasan Prishtina ka një rol të jashtëzakonshëm”, ka shtuar Bido.

Përfaqësuesi i trungut familjar të Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, potencon se logoja e cila përmban tre mbiemra të këtij veprimtari, është logo e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Prishtina: Logoja që e kemi këtu para nesh, ishte logoja e 100-vjetorit

“Logoja që e kemi këtu para nesh, Hasan Prishtina, Shkupi dhe Tirana ishte logoja e 100-vjetorit me të cilën rrugëtuam ne një grup familjarësh, të cilët e kanë sjellë këtë ditë që ne sot po e gëzojmë. Pra, Hasan Prishtina është në Prishtinë, Hasan Shkupi është në Shkup dhe Hasan Tirana është në Tiranë. Ekspozita me dokumente arkivore dhe fotografi ekskluzive nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës që po e shpalosin sot para jush vjen si rezultat i një bashkëpunimit të frytshëm të IKSHKSH-së në Maqedoni me seli në Shkup dhe Arkivit Qendror të shtetit shqiptar”, tha ai.1

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe Gazmend Boletini, familjar i heroit Isa Boletinit.

Boletini: Mehmet Prishtina e meriton një falënderim të jashtëzakonshëm

“Do të doja të ndalesha te Mehmet Prishtina, një mik i imi i madh, ne jemi bashkë që 10 vjet qysh nga 100-vjetori i pavarësisë së Shqipërisë kemi vazhduar rrugëtimin e të parëve tonë dhe kemi gjetur bashkëpunim në mesin e shqiptarëve mbështetjen me argumente e fotografi, edhe pse ato i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë, është një pasuri e madhe që ne do t’ia lëmë dhe shqiptarëve në përgjithësi Kosovës. Mehmet Prishtina e meriton një falënderim të jashtëzakonshëm, i cili në rrugën e Hasan Prishtinës ka punuar dhe punon,” tha Boletini.

Paraditen e sotme është hapur ekspozita për veprën dhe jetën e Hasan Prishtinës në Shkup, dhe nesër e njëjta do të hapet në Shqipëri.

FTESË PËR MIQTË DHE LEXUESIT E MI NË KOSOVË – Nga SHABAN MURATI

 

Kam kënaqësinë t’ju ftoj në promovimin e dy librave të mi të rij “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë” dhe “Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë”, që trajtojnë problematikat diplomatike më të mprehta dhe ende të pazgjidhura të shtetit dhe të kombit shqiptar me Serbinë dhe me Greqinë.

Promovimi, i organizuar nga Fondacioni i mirënjohur Çamëria “Hasan Tahsini”, i cili i ka botuar të dy librat, do të mbahet në datën 9 dhjetor, ditën e enjte, ora 17.00, në Hotel “Sirius”, Prishtinë. Prania juaj na nderon!

 


Send this to a friend