Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë sot homazhe dhe vendosi lule në Kompleksin Memorial në Pastasel të Rahovecit për të përkujtuar vrasjen e 106 martirëve të këtij fshati dhe fshatrave të tjerë përreth tij nga forcat serbe.
Masakra në Pastasel të komunës së Rahovecit, e kryer më 31 mars 1999 shënon një prej masakrave më të mëdha që forcat serbe kanë kryer në Kosovë, ku në mesin e martirëve kishte fëmijë, gra dhe pleq
Trupat e disa prej viktimave të këtij krimi edhe pas 23 vitesh mbesin të zhdukur me dhunë, dhe ende nuk ka asnjë serb të dënuar për krimet e bëra. express
E ngarkuara me punë në ambasadën e Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri, ka pritur në ambasadë deputetin izraelit, Zvi Hauser.
Ajo tha se kanë rënë dakord që të thellohet partneriteti mes dy shteteve që së fundi vendosen marrëdhëniet diplomatike si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit. Demiri njoftoi se mes Kosovës dhe Izraelit do të krijohet edhe një grup parlamentar i miqësisë.
“Në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem, kisha nderin të prisja anëtarin e Knesset, Zvi Hauser. Ne kishim një bisedë të ngrohtë miqësie dhe u pajtuam që të thellojmë partneritetin mes Kosovës dhe Izraelit, përfshirë edhe një grup parlamentar kosovar-izraelit”. Express
Memoriali për të vrarët në masakrën e Reçakut – Fotografi nga arkivi.
RFE/RL
Gjatë vitit 2021, institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ngritur vetëm një aktakuzë për krime lufte të kryera në periudhën 1998-‘99, sipas raportit të fundit të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare – Kosovë (FDHK), të prezantuar më 31 mars. Fondi për të Drejtën Humanitare monitoron seancat gjyqësore në rastet e krimeve të luftës.
Koordinatori i projektit në FDHK, Amer Alija, gjatë prezantimit të raportit tha se vitin e kaluar dy persona janë arrestuar nën dyshimin e veprës penale të krimeve të luftës, janë proceduar pesë raste të krimeve të luftës kundër popullatës civile për gjashtë të pandehur.
Sipas tij, efikasiteti në ndjekjen penale të rasteve të krimeve të luftës, nuk është i kënaqshëm.
“Vonesat të tilla mund të rrezikojnë efiktivitetin dhe kredibilitetin e një sistemit ligjor. Në anën tjetër, viktimat dhe dëshmitarët, të cilët kanë pritur me dekada për të dëshmuar ndaj personave të dyshuar për krimet e luftës, sigurisht që do të zhgënjehen nga mosveprimet adekuate”, tha ai.
Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, nga Gjyqësori vendor dhe ndërkombëtar janë dënuar rreth 70 persona për krime të luftës. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë 13, 518 persona, kurse më shumë se 1,600 janë ende të pagjetur.
Duke komentuar gjetjet e FDHK-së, udhëheqësja e Departamentit për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, tha se hetimi dhe gjykimi i krimeve të luftës mbetet sfidë për shkak të mungesës së pranisë fizike të të pandehurve.
Hajdari e arsyetoi ngritjen e vetëm një aktakuze gjatë vitit 2021 me pamundësinë e arrestimit të kryesve të këtyre veprave penale.
“Prokuroria ka trajtuar rastet dhe ka ngritur aktakuza në rastet kur e kemi siguruar praninë fizike të të pandehurit. Do të thotë, ne nuk mund të ngremë aktakuza në rastet kur nuk e kemi praninë e kryesve të atyre veprave penale”, tha Hajdari.
Hajdari më tej shtoi se edhe pse Kosova e ka një ligj për gjykim në mungesë, sipas saj, ai ligj është ‘pothuajse i pazbatueshëm’.
“Kjo mundësi (gjykim në mungesë) duhet të aplikohet në raste kur i shtjerrim të gjitha mundësitë ligjore për kapjen e kryesit të veprës penale”, tha Hajdari.
Sipas saj, aktualisht janë mbi 1,000 raste të krimeve të luftës.
“Në bazë të Strategjisë së krimeve të luftës, ne kemi përcaktuar prioritete, sepse nuk është e mundur t’u qasemi të gjitha lëndëve që i kemi në punë. Në prioritete hyjnë masakrat më të mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës dhe rastet më të rënda. Çka po bëjmë në këtë situatë? Po i mbledhim informacionet, po i grumbullojmë provat, kur përfundon hetimi i pezullojmë dhe presim t’i gjejmë dhe t’i arrestojmë të pandehurit”.
Hajdari tha se pikërisht arrestimi i pandehurve është problematik, sepse shumica gjenden jashtë Kosovës, dhe kjo varet nga INTERPOL-i dhe vullneti i shtetit në të cilin gjendet i pandehuri. Sipas saj, ka pasur raste kur të pandehurit janë ekstraduar, por edhe kur ekstradimi është refuzuar.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, theksoi se hetimi i krimeve të luftës në Kosovë mund të përshpejtohet nëse arrihet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë.
“Më shumë mund të bëhet duke vendosur bashkëpunim me të mirë ligjor me institucionet e drejtësisë në Serbi, duke angazhuar stafin mbështetës që ka veti të mira analitike dhe që janë në gjendje të trajtojnë rastet e vjetra, në veçanti ato që janë dërguar nga EULEX-i në vitin 2018”, deklaroi ambasadori Abbott.
Rasti i fundit i ngritjes së një aktakuzë për krime lufte në Kosovë ishte më 29 mars, 2022 kundër një të pandehuri me inicialet M.A, i nacionalitetit shqiptar, me vendbanim në Beograd, shtetas i Serbisë.
Prokuroria Speciale tha se aktakuza kundër M.A. është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas Prokurorisë, rasti ka të bëjë me Masakrën e Izbicës, e cila ka ndodhur më 28.03.1999, në fshatin Izbicë, komuna e Skënderajt.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008 krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Nga viti 2008, hetimin e krimeve të luftës e kishte përgjegjësi Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Në vitin 2018 misioni i EULEX-it përfundoi procesin e dorëzimit të dosjeve tek prokuroria dhe gjykatat vendore.
Këto raste penale tani janë në duart e prokurorëve dhe gjyqtarëve të institucioneve të Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nis sot vizitën në Hagë të Holandës për t’i takuar ish-krerët e UÇK-së në paraburgimin e Gjykatës Speciale.
Ministrja Haxhiu do të shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, si dhe deputeti Erxhan Galushi.
Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Gazetën Express tha se delegacioni me në krye ministren Albulena Haxhiu do të takohet me të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim, përveç ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe ish-shefin e inteligjencës së FSK-së, Salih Mustafa.
“Delegacioni nga Republika e Kosovës do të takohet me Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Hysni Gucatin, Nasim Haradinajn dhe Pjetër Shalën”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
Vizitat do të zhvillohen më 30, 31 mars, dhe 1 prill.
Është hera e dytë që Thaçi e Veseli nuk do të takohen me përfaqësues vizitorët nga Ministria e Drejtësisë.
Në fund të vitit të kaluar, ministrja Haxhiu pati thënë se zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë kishin udhëtuar për në Hagë ku ishin takuar me të akuzuarit, por se Thaçi dhe Veseli nuk kishin dashur takim me ta.
“Ne kemi pasur një vizitë në Gjykatën Speciale, përpos zotit Thaçi dhe Veseli që nuk kanë dashur të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, kemi takuar zotin Krasniqi, Selimi dhe Gucati. Thaçi e Veseli nuk kanë dashur të takohen me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë”, kishte thënë Haxhiu.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se nëse ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, nuk i kërkon falje publike Hashim Thaçit e Kadri Veselit kërkesa për t’u takuar me ta në Hagë është e pakuptimtë dhe e padrejtë.
Sipas, Musliut, para takimit Haxhiu duhet t’i kërkojë falje publike Thaçit e Veselit që i quajti kriminel.
Reagimi i i saj i plotë:
Albulena Haxhiu para se të niset në Hagë do të duhej fillimisht ti kërkonte publikish falje Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që i quajti kriminel.
Nëse nuk kërkon falje publike kërkesa për ti takuar liderët e UÇK-së është e pakuptimitë dhe e padrejtë.
Kosova ka bërë zgjidhje në Amerikë për blerjen e grurit, pasi shteti ku Kosova më së shumti e importon këtë produkt, Serbia, ditë më parë ka pezulluar për një kohë shitjen e tij. Përveç në SHBA, Kosova do të mund të blejë grurë edhe nga shtetet e tjera perëndimore, kështu ka njoftuar dje ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Autoritetet e Kosovës e kishin ngritur këtë çështje gjatë këtij muaji kur lufta në Ukrainë po zhvillohej me intensitet ndërkohë që në vend po flitej për rritje çmimesh dhe mungesë të produkteve bazike që mund të shfaqen muajve në vijim.
Përë këtë Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier. Në njoftimin për media që ishte dërguar thuhej se Presidentja kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.
Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se Serbia nuk do të eksportojë më grurë nëpër shtetet e tjera. Si arsye për pezullim, Vuçiq e ka dhënë rritjen e jashtëzakonshme të eksportit në ditët e fundit.
Ndikim në rritjen e eksporteve nga ky shtet ka pasur edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, kur dihet se këto dy shtete janë prodhueset më të mëdha të grurit në botë.
Megjithatë, në këtë situatë Bashkim Zejnullahu nga Shoqata e Mullistëve të Kosovës kishte thënë se vendi ka rezerva të mjaftueshme të grurit.
Edhe në fund të muajit shkurt, Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari, kishte deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj.
Ndërsa, dje derisa po raportonte në Komisionin për Ekonomi, ministrja Rozeta Hajdari u shpreh se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë një përgjigje pozitive nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket importit të grurit në të ardhmen edhe nga ShBA-të.
“Kosova nuk ka pasur varësi për import të grurit nga Ukraina, por nga Serbia. Por, fatmirësisht kemi marrë përgjigje pozitive nga shtetet e perëndimore dhe nga ShBA-të për mundësinë e importit të grurit nga këto shtete. Pra, Kosova mund të jetë blerës i ardhshëm i grurit amerikan”, tha ajo gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi.
Ministrja Hajdari shtoi se vendi duhet të përgatitet për rritjen e Rezervës shtetërorë.
Sipas statistikave që Dogana e Kosovës i ka dërguar Gazetës Express, Kosova më së shumti importon grurë nga Serbia.
Në vetëm dy muajt e parë të këtij viti, vendi ka importuar grurë nga Serbia në vlerë gati 2 milionë euro, që i bie se rreth 82 përqind e importit është realizuar vetëm nga ky shtet.
Importi i grurit nga Serbia ka qenë në vlera milionëshe edhe gjatë dy viteve të fundit. Në vitin 2020, vlera e importit ka qenë rreth 15 milionë euro, derisa në vitin 2021 ka qenë gati 23 milionë euro.
Përkthyer në përqindje, gjatë vitit 2021, rreth 85 përqind e importit të grurit ka qenë nga Serbia, kurse gjatë vitit 2020 ka qenë rreth 56 përqind.
Të tjera vende prej të cilave Kosova ka blerë grurë këtë vit janë edhe Kroacia, Hungaria, Maqedonia e Veriut. Më herët, importin e grurit, vendi e ka bërë edhe nga shtete, si: Turqia, Italia, Austria, Rusia, Gjermania, Bullgaria, Ukraina dhe Holanda. /Express/
Shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Shwarz, në një intervistë për “Newsweek” ka folur për synimet e Kosovës për anëtarësim të përshpejtuar në Bashkim Evropian dhe NATO.
Gërvalla ka thënë se Kosova ka rritur përpjekjet për një synim të tillë dhe thotë se e njëjta punë po bëhet edhe për të bindur pesëshen jonjohese të BE-së për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
“Ne po rrisim përpjekjet tona për të përshpejtuar anëtarësimin tonë në BE dhe NATO, por në të njëjtën kohë për të bindur pesë partnerët e mbetur të BE-së që të ndjekin shumicën dërrmuese brenda BE-së dhe t’i japin fund shpejt pasigurisë në Evropën Juglindore duke njohur kufijtë e vendit tonë”, ka thënë Gervalla-Schwarz.
Kryediplomatja kosovare ka theksuar se një gjë e tillë do të ishte një sinjal i fortë për Vuçiqin dhe Vladimir Putinin, duke mos ngurruar që këtë të fundit ta përshkruaj edhe si kriminel lufte, shkruan Newsweek, trasnmeton Gazeta Express
Gërvalla tutje ka shtuar se për sa kohë Vuçiq dhe Putin mund të llogarisin në faktin se BE-ja është e ndarë sa i përket kësaj çështje, atëherë çdo kufi i kontestuar në Evropë rrezikon jo vetëm të provokohet por edhe përballet me luftë.
“Për sa kohë që Vuçiç dhe Putin mund të llogarisin në faktin se BE-ja mbetet e ndarë dhe nuk e mbyll atë kapitull, çdo kufi i kontestuar në Evropë do të vazhdojë të përbëjë rrezik jo vetëm të provokimit, por për më tepër të veprimeve të dhunshme dhe madje edhe të luftës”, ka thënë Gërvalla.
“Njerëzit tanë janë me të vërtetë evropianë dhe ne besojmë sinqerisht se BE-ja është përgjigja historike për t’i dhënë fund luftërave në kontinentin tonë, siç e ka dëshmuar me Gjermaninë dhe Francën dhe shumë shembuj të tjerë historikë.”, ka thënë në fund Gërvalla.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot udhëton për në Hagë dhe qëllimi i vizitës, e cila do të zgjasë tre ditë, është për të takuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej më shumë se një viti mbahen në paraburgim në Hagë.
Vizitën e ministres atje e ka konfirmuar këshilltari i saj, Flamur Pireva, njofton RTK.
Ai tregoi se Ministrja Haxhiu gjatë vizitës në Hagë, do të shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Buogujevci.
“Ministrja Haxhiu, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, do të jenë në vizitë në Hagë në datat 30, 31 mars dhe 1 prill”, deklaroi ai.
Takimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Beograd, 22 mars 2022.
RFE/RL
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Lilana Stevanoviq, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 22 mars në Beograd. Kështu konfimoi të mërkurën KGJK-ja.
Më herët gjatë ditës në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se i vjen keq për pjesëmarrjen e Stevanoviqit në një takim të tillë dhe i ka bërë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të ndërmarrë veprime për këtë rast.
“Gjyqtarët dhe kryetarët e gjykatave në Republikën e Kosovës duhet të sillen me integritet të lartë moral dhe profesional. Çdo pjesëmarrje në një takim të tillë e cenon këtë integritet”, tha ajo.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të marrë një reagim nga Lilana Stevanoviq, por ajo është përgjigjur se “nuk ka kohë”.
Ndryshe, më 22 mars në Beograd, presidenti serb, Vuçiq u takua me përfaqësuesit serbë të Kosovës, me të cilët bisedoi për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.
Më 3 prill, Serbia do të mbajë zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe serbët e Kosovës, sipas Vuçiq, do të votojnë në komunat në Serbinë Qendrore.
Protestë e mbajtur në Prishtinë më 25 shkurt, 2022, në shenjë solidariteti me popullin e Ukrainës pas pushtimit nga Rusia.
RFE/RL
Edhe pse Kosova ka shprehur gatishmëri për pranimin e refugjatëve nga Ukraina, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme “deri tash nga ky shtet nuk është regjistruar zyrtarisht asnjë refugjat”.
Një zyrtar nga MPB-ja tha për Radion Evropa e Lirë, se janë vetëm dy familje te të afërmit e tyre në Kosovë.
“Jemi të gatshëm për pranimin e tyre nëse do të ketë kërkesa”, thanë zyrtarë të MPB-së.
Kosova ka shprehur gatishmëri për pranimin e 5,000 refugjatëve.
Kosova, po ashtu, është zotuar për pranimin e 20 gazetarëve ukrainas, së bashku me familjet e tyre për strehim në Kosovë, duke ofruar “mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme brenda Kosovës”.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të mërkurën [23 mars] që të ndahen 100 mijë euro për dërgimin e një kontigjenti ndihmash humanitare drejt Ukrainës.
Numri i njerëzve të zhvendosur nga lufta në Ukrainë ka kaluar 3.5 milionëshin.
Afër 90 për qind e atyre që kanë ikur janë gra dhe fëmijë. Burrat ukrainas nga mosha 18 deri në 60 vjeç nuk mund të largohen nga shteti, pas mobilizimit të përgjithshëm ushtarak.
Mbi gjashtë milionë persona besohet se janë të zhvendosur brenda Ukrainës.
Para konfliktit, Ukraina kishte një popullsi prej 37 milionë banorësh, pa llogaritur popullsinë në Gadishullin e aneksuar të Krimesë dhe në dy rajonet lindore separatiste.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Peter Stano, ka thënë të martën, më 22 mars, në konferencën për shtyp të Komisionit Evropian, se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për atë që ai e ka quajtur “vendim të Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it”, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi.
Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.
“BE-ja ka vepruar si lehtësues, përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, duke pohuar se Serbia ka luajtur rol konstruktiv e Kosova ka refuzuar.
“Duke pranuar se Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhje se konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, ka thënë zëdhënësi i BE-së.
Siç konfirmuan zyrtarë evropianë për Radion Evropa e Lirë, çështja e votimit të serbëve të Kosovës në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë tashmë është “mbyllur”.
Stano e ka quajtur këtë vendim të jetë “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian dhe të ardhme demokratike dhe kundër parimeve të mbrojtjes së të drejtës demokratike të të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe të atyre që i takojnë popullatës joshumicë”.
“Tash ne presim nga Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika, e cila mund të rrisë tensionet dhe, po ashtu, u bëjmë thirrje të dyja palëve të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai ka thënë se në këtë moment nuk është në gjendje të paralajmërojë ndonjë takim në kuadër të dialogut, porse janë duke punuar në atë drejtim.
“Po punojmë në atë drejtim dhe ftojmë të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi, në mënyrë që të jetë e mundur të organizohet një takim i tillë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën pas takimin me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës, se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se, “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.
“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.
Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.
Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.
Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, pret nga Serbia të dënojë luftën brutale të Rusisë që ka nisur prej javësh në Ukrainë, si dhe të përafrohet me sanksionet e BE-së. Ajo thotë se kjo është minimumi se çfarë kërkojnë nga Serbia.
Me anë të një postimi në Twitter, Viola von Cramon, shkruan se Serbia po shpërndan fushatën ruse të dezinformimit lehtësisht në tabloidet e tyre.
“Fushatat e dezinformimit nga Rusia fluturojnë lehtësisht në tabloidet serbe. Si një kandidat për BE, pres që udhëheqja në Serbi të dënojë luftën brutale të Rusisë në Ukrainë dhe të përafrohet me sanksionet e BE-së. Ky është minimumi që ne kërkojmë”, shkruan ajo ndër të tjera.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka rishpërndarë postimin e Petrit Selimit, i cili shkruan se këtë të diel, gazeta serbe “Novosti”, “në pronësi të qeverisë së Serbisë, ka një ballinë të neveritshme duke pretenduar se forcat e Ukrainës po vrasin njerëzit e tyre në Mariupol”.
Rusia ka shtuar sulmet mbi Ukrainë edhe në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar ofertën e Polonisë për t’i dërguar disa aeroplanë MIG-29 nga epoka e sovjetizmit drejt Ukrainës përmes një baze ushtarake amerikane në Gjermani, shkruan “Tagesschau”, trasnmeton Express.
Nga Pentagoni kanë thënë se një propozim i tillë ka ngritur “shqetësime serioze” për gjithë NATO-n.
Lidhur me këtë çështje ka shkruar edhe mediumi gjerman “Tagessachau”, duke treguar se transferimi i drejtpërdrejtë i aeroplanëve për në Ukrainë me sa duket nuk është planifikuar nga SHBA-të, derisa potencojnë se një prej skenarëve të mundshëm është që avionët të rilyhen në bazën e Ramstein në Gjermani dhe pastaj të fluturojnë drejt një vendi jo-anëtar të NATO-së apo që nuk është anëtar i BE-së.
Pastaj pilotët e Ukrainës nga ai vend mund t’i dërgojnë aeroplanët drejt Ukrainës.
Siç shkruan “Tagesachau”, Kosova është përmendur si një nga opsionet e mundshme edhe pse ende asnjë vend nuk është përmendur publikisht.
Siç shkruan mediumi gjerman, është diskutabile nëse përdorimi i MiG-29 nga Ukraina mund të inicojë një kthesë ushtarake, pasi numri i tyre është i menaxhueshëm dhe janë teknikisht inferiorë ndaj avionëve më të sofistikuar rusë.
Kosova tashmë u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës, por në veprimet e saj nuk është përfshirë edhe mbyllja e hapësirës ajrore për aeroplanët e kompanive ruse. Në hartën e vendeve që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, Kosova është e veçuar bashkë më Serbinë dhe Bosnjën në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Zërin e Amerikës se autoritetet tashmë i kanë kërkuar NATO-s që kjo situatë të ndryshojë.
“
Ne jemi shumë të interesuar që të ndalojmë fluturimin e kompanive dhe fluturakeve ruse në hapësirën tonë ajrore, këtë çështje e kemi shtruar me KFOR-in dhe NATO-n dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta për hapat dhe vendimet e mëtutjeshme”, tha ai.
Por kush e kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës?
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, një zëdhënëse e NATO-s tha se “hapësira ajrore mbi Kosovën mbetet e hapur dhe se komandanti i KFOR-it ruan autoritetin parësor për përdorimin e hapësirës së poshtme ajrore mbi Kosovën, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, tha ajo.
Ish drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha thotë se Kosova aktualisht kontrollon hapësirën e mesme ajrore të saj, ndërsa hapësira e lartë ajrore nga 6 mijë e 500 metra e lart, kontrollohet nga Hungaria.
“Për momentin hapësirën e lartë të Kosovës e kontrollon autoriteti hungarez sipas një marrëveshje që ka me KFOR-in nga viti 2015 për ofrimin e shërbimeve në atë hapësirë ajrore për shkak se NATO-ja është autoritet kompetent për hapësirën ajrore të Kosovës dhe kjo rrjedh nga marrëveshja e Kumanovës e vitit 1999 në mes të NATO-s dhe forcave të ish Jugosllavisë”, tha ai.
Ai thotë se çështja e kontrollimit të hapësirës ajrore të Kosovës është më shumë e natyrës politike se sa teknike. Pas shpalljes së pavarësisë, thotë zoti Berisha, Kosova ka miratuar ligje për aviacionin civil dhe se sipas tij qeveria duhet të shfrytëzojë këto kompetenca për të marr vendime të rëndësishme, siç është rasti me Rusinë.
“Ligjin për aviacionin civil e ka për detyrë ta zbatojë qeveria e Kosovës dhe jo NATO apo KFOR-i, ne si shtet sovran që është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe i ushtron në mënyrë të plotë kompetencat e tij duhet të paktën të ndërmerr iniciativë për ushtrimin e atyre funksioneve qe i ka obligim me ligj. Për shembull mund të kërkoj nga autoriteti i KFOR-it apo edhe autoriteti hungarez të cilat janë në marrëdhënie kontraktuale me KFOR-in dhe NATO-n që të merren vendime sa i përket hapësirës ajrore të Kosovës sidomos në këtë rast kur kemi të bëjmë me një rast të paprecedentë kur pothuajse të gjitha shtetet i kanë ndaluar shfrytëzimin e hapësirës ajrore të avionëve rus ndërsa Republika e Kosovës të mos ndërmerr një vendim të tillë apo të paktën një iniciativë të tillë për shkak të kufizimeve që i ka nga autoritetet ushtarake të NATO-s të vendosura këtu përmes misionit të tyre të KFOR-it”, tha ai.
Deri më tash vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbyllur hapësirën ajrore për kompanitë ruse, ndërsa një gjë të tillë nuk e ka bërë Serbia. Kompania e saj ajrore “Air Serbia” vazhdon të fluturojë nga Beogradi në Moskë dhe anasjelltas, ndërsa ka shtuar kapacitetet.
Protestë e mbajtur në Prishtinë më 25 shkurt, 2022, në shenjë solidariteti me popullin e Ukrainës pas pushtimit nga Rusia.
RFE/RL
Kosova së shpejti do të pezullojë regjimin e vizave transit për qytetarët e Ukrainës dhe do të krijojë kushte për strehimin e familjarëve të ushtarëve të Ukrainës, të cilët janë në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Kështu bëri të ditur ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, gjatë një raportimi para Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Diasporë.
“Qytetarët e Ukrainës në kufirin me Kosovën mund të hyjnë pa viza, por ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Kosovë, do të detyrohen të paraqiten tek organet kompetente me qëllim që të marrin leje qëndrim”, tha Gërvalla.
Ukraina nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndërmjet dy shteteve ekziston regjimi i vizave.
Ministrja Gërvalla tha se do të krijojnë kushte për të gjithë familjarët e ushtarëve ukrainas në Kosovë, të cilët dëshirojnë të sjellin familjen në Kosovë.
Në Kosovë, në kuadër të KFOR-it shërbejnë 40 ushtarë ukrainas.
Gërvalla, po ashtu, bëri të ditur se brenda kësaj jave, do të dorëzojë kërkesën në Qeverinë e Kosovës për marrjen e masave konkrete për pranimin e 5,000 refugjatëve nga Ukraina.
Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute të votuar më 3 mars i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës të ndajë një fond të veçantë për ndihmë Ukrainës dhe në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5,000 refugjatëve.
Gërvalla tha se Qeveria do të ndajë mjete për këtë fond për Ukrainën.
“Ne do të zgjedhim një shoqatë humanitare vendore, e cila me produkte të Kosovës do të përpiqet të zbusë krizën humanitare në Ukrainë”, theksoi ajo.
Kosova, u shpreh Gërvalla, ka kërkuar nga KFOR-i dhe NATO ndalimin e hapësirës ajrore për avionët në pronësi ruse dhe se kjo kërkesë, siç tha ajo, është duke u shqyrtuar nga NATO.
“Shumë shpejt kemi filluar të shkojmë përtej anës formale të bashkëngjitjes së sanksioneve dhe se cilat janë mënyrat që Kosova mund të japë kontributin e saj. Jemi të ndërgjegjshëm që kontributi ynë është modest. Jemi shtet i vogël me shumë vështirësi dhe probleme tona”, tha Gërvalla.
Qeveria e Kosovës e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë dhe ka vendosur sanksione në linjë me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Autoritetet ukrainase njoftojnë që shumë shtetas të huaj i janë përgjigjur kërkesës për të ndihmuar që të luftohet Rusia në territorin e Ukrainës.
Sipas të dhënave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, rreth 16 mijë luftëtarë vullnetarë nga shtete të ndryshme, do t’i bashkohen së shpejti Ukrainës për luftimin e okupimit rus, shkruan Gazeta Express.
Ndryshe, forcat ukrainase tashmë kanë krijuar një legjion me luftëtarë ndërkombëtarë.
Vendet perëndimore kanë dhënë përkrahje për shtetasit e vet që duan t’i dalin në krah Ukrainës, edhe në frontin e luftës.
Sekretarja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Liz Truss, ka thënë se Ukraina po lufton për lirinë e të gjithë dhe ajo i përkrah bashkëkombësit që duan t’i bashkohen kësaj lufte.
Kosova nga ana tjetër e ka të ndaluar me ligj që shtetasit e saj t’i bashkohen cfarëdo konflikti të armatosur jashtë vendit.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) Donika Gërvalla ka pritur në takim raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon.
Siç njofton MPJD, ministrja Gërvalla e ka falënderuar eurodeputeten Von Cramon për bashkëpunimin e vazhdueshëm derisa në takim kanë diskutuar për tema aktuale, me theks të veçantë situatën në Ukrainë.
“Ministrja Gërvalla tregoi përkushtimin e Kosovës për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta demokratike evropiane duke ju bashkuar BE-së dhe SHBA-së për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, gjithashtu edhe vendimin për t’i mirëpritur gazetarët ukrainas përmes bashkëpunimit me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liritë Medias dhe Shtypit dhe për t’u ofruar atyre mbështetje financiare”, bëri të ditur MPJD.
Po ashtu u bë e ditur se në takimin e ministres Gërvalla me eurodeputeten Von Cramon u diskutuan edhe hapat konkretë që Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe për t’iu bashkuar botës demokratike në dënimin e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë.
Eurodeputetja e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë është takuar sot edhe me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ndërsa nesër do të takohet edhe me krerë të tjerë të institucioneve të larta në vend.
Eurodeputetja Von Cramon njihet si mbështetëse e madhe e Kosovës në rrugën e saj drejtë integrimit evropian. Ajo së fundmi bëri thirrje që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës duke arsyetuar se “qytetarët e Kosovës meritojnë qasje të plotë në mekanizmat më të vjetër të Evropës”. AA
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të ndajë fonde për pranimin e 20 gazetarë ukrainas, të cilët kanë ikur nga shteti pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
MPJD ka kërkuar nga ekzekutivi që të ndajë 150,000 euro për pranimin e tyre, thuhet në një dokument të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë. Këta gazetarë do të lirohen nga vizat për të hyrë në Kosovë.
Kabineti qeveritar pritet të votojë në mënyrë elektronike për këtë çështje gjatë së martës.
Shuma prej 150,000 eurosh do të përdoret për të mbuluar shpenzimet e qirasë, zyrave, sigurimeve shëndetësore, pagesës mujore dhe shpenzimeve të transportit për gazetarët ukrainas, për një periudhë 6-mujore.
Sipas dokumentit, përzgjedhja e gazetarëve që do të strehohen në Kosovë do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.
Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, e cila nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Me pankarta “Stop Luftës, shpëtoni Ukrainën”, “Bota ka parë mjaft luftëra”, “Paqja është më e lirë” e “Lufta kurrë nuk është zgjidhje”, dhjetëra qytetarë kanë protestuar pranë Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.
Protesta u organizua nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut, me kërkesën e vetme të ndërprerjes së menjëhershme të luftës në Ukrainë.
Organizatorja e kësaj proteste, Marigona Shabiu, tha se duke qenë se Kosova ka përjetuar efektet shkatërrimtare të luftës, pasojat e së cilës vazhdon t’i vuajë edhe sot, populli i Kosovës dhe shteti duhet ta dënojë fuqishëm pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Bëjmë thirrje që kjo luftë e nisur së fundmi të ndalojë menjëherë dhe të gjitha shtetet të përkushtohen dhe të punojnë seriozisht drejtë krijimit të paqes dhe ruajtjes së stabilitetit në Ukrainë dhe në të gjitha vendet e botës. Ne përveç thirrjes që po i bëjmë shtetit rus që të ndalojë luftën dhe pushtimin e Ukrainës, ne gjithashtu po solidarizohemi dhe bashkëndjejmë me popullin e Ukrainës”, tha Shabiu.
Ajo po ashtu u bëri thirrje të gjithë aktorëve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile, organizatave paqeruajtëse dhe të gjitha vendeve demokratike që të angazhohen për paqe dhe stabilitet ne Ukrainë dhe kudo në botë.
Duke sfiduar kërcënimet e sanksioneve nga Perëndimi, Moska në fillim të kësaj jave njohu zyrtarisht si vende të pavarura rajonet e Ukrainës lindore, Donetsk dhe Luhansk, pas çka dje nisi një operacion ushtarak në Ukrainë.
Tensionet filluan të përshkallëzohen në fund të vitit të kaluar kur Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzuan Rusinë për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave në kufirin me Ukrainën.
Ata theksuan se Rusia po përgatitej të pushtojë Ukrainë, akuza që vazhdimisht u refuzuan nga Moska. AA
Udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, dënuan veprimet ruse në Ukrainë dhe u zotuan për bashkërendim me aleatët perëndimorë. Komentet u bënë gjatë një seance të parlamentit në të cilën deputetët e opozitës kërkuan më shumë vëmendje të qeverisë së Kosovës për situatën në Ukrainë dhe ndikimet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Republika e Kosovës, qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe sikurse deri më tani dhe në vijim ne do të jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryetari i komisionit parlamentar për punë të jashtme, Haki Abazi, tha se është urgjente që institucionet e sigurisë të shqyrtojnë situatën për shkak të siç tha, veprimeve të ngjashme që mund të ndërmarrë Serbia, aleatja e Rusisë në Ballkan.
“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate kur ne bëjmë historinë ndonjëherë pa e ditur se po e bëjmë historinë, që të jemi të bashkuar përballë një krize që mundet në mënyrë direkte apo indirekte të na prekë të gjithë neve, qytetarët dhe rajonin dhe sigurisht se jemi me fat që jemi bashkë me aleatët perëndimor në ballafaqimin me këtë sfidë”, tha zoti Abazi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh nënkryetar i parlamentit, kërkoi nga institucionet dhe partitë që të bëhen bashkë për të dënuar agresionin rus.
“Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe mendoj që qeveria e Kosovës duhet të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe së treti sot nëse SHBA-të dhe BE vendosin sanksione, sot qeveria e Kosovës duhet të mblidhet dhe të vendos sanksione ndaj Federatës ruse sikurse kemi bërë në vitin 2014 kur është aneksu Krimeja”, tha zoti Hoxhaj.
“E shihni si na është luajtur loja se kinse ne po dëshirojmë të dërgojmë ushtarë në Ukrainë, ne duhet të jemi të qëndrueshëm si shtet, kemi një ligj, në aspektin ndërkombëtar, në aspektin e politikës së jashtme këto tema ne e përcjellim Amerikën dhe kaq”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Javën e kaluar zyrtarët e Rusisë thanë se “mercenarë” nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja po dërgohen për të luftuar përkrah forcave ukrainase kundër kryengritësve pro-rusë, mes frikës së një sulmi të Rusisë mbi vendin fqinj.
Zyrtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja, i hodhën poshtë pretendimet e ngritura nga ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila javën e kaluar kremtoi 14 vjet të shtetësisë së saj, që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Kosova, në pesë vjetët e fundit, ka pranuar katër njohje ndërkombëtare.
E shpallur e pavarur 14 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total.
Gati gjysma prej tyre e kanë njohur në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.
Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.
Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Mosnjohjet, në një mënyrë ose tjetër, e pengojnë Kosovën – nisur nga lëvizja e lirë deri te pranimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë rreth çështjes së lobimit për njohje.
Në ueb-faqen e kësaj ministrie, te pjesa për politikën e jashtme, shkruan se MPJD “mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së”.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, më 1 shkurt, 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Para Izraelit, për gati tre vjet, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend.
Për më tepër, ajo është përballur me fushatën e Serbisë për çnjohje. Autoritetet në Serbi kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera. Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.
Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Moratoriumet kanë skaduar në shtator të vitit të kaluar dhe nuk është e qartë nëse Serbia ka rinisur fushatën e saj. Po ashtu, nuk është bërë e ditur që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të huaj ndërkombëtare.
Spahiu: MPJD ka stagnuar
Avni Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, thotë se MPJD duhet të aktivizohet dhe të sigurojë njohje të reja për Kosovën, që do të fuqizonin subjektivitetin e saj ndërkombëtar.
“Në të kaluarën, Ministria e Jashtme ka pasur një program konkret se si t’u qasemi kërkesave për njohje të vendit, por mendoj se ka një stagnim në angazhimin e duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për fat të keq, po shihet një neglizhencë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, fokusi duhet të jetë në pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende Kosovën.
GLPS: Diplomaci pa strategji
Lirika Agusholli, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), thotë se Kosovës i mungon strategjia për sigurimin e njohjeve të reja.
“Është nevojë emergjente që të përpilohet një strategji e qartë pro-aktive nga ana e MPJD-së në Kosovë. Duhet të punohet në organizime, vizita zyrtare dhe samite në vendet mosnjohëse, me qëllim të informimit për gjendjen e shtetit të Kosovës”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thënë shumë qartazi, ka shumë punë për të bërë në çështjen e njohjeve të legjitimitetit të shtetit të Kosovës”, thotë Agusholli për Radion Evropa e Lirë.
Edhe sipas saj, Kosova duhet të ketë lobim intensiv në pesë vendet mosnjohëse të BE-së.
Kosova kërkon njohje reciproke me Serbinë
Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.
Megjithatë, e ardhmja e këtyre bisedimeve është e paqartë. Bartësit aktualë të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar.
Një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, Rusia, e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Kosova nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.
Por, gjatë 14 vjetëve të pavarësisë, ajo ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.
Krerët e Republikës së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih (MSC) janë takuar me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Në takim me kryeministrin Mitsotakis, krerët shtetërorë theksuan rëndësinë e avancimit të raporteve mes dy shteteve. Ata po ashtu kanë theksuar rëndësinë e njohjes së shtetit të Kosovës nga Greqia, si hap i radhës i natyrshëm drejt thellimit të mëtutjeshëm të raporteve.
Më tej, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë kërkuar përkrahje nga Greqia në procesin e liberalizimit të vizave, duke theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën mbron kredibilitetin e BE-së dhe se ky proces nuk duhet ndërlidhur me procese të tjera.
Sipas krerëve shtetërorë, Kosova mbetet e palëkundur në orientimin euro-atlantik dhe synimin për anëtarësim në NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Në këtë takim, është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë në fushën e sigurisë, tregtisë, kulturës, si dhe sfera të tjera të interesit reciprok./21Media
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni ia kanë bërë të qartë Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, se për të arritur deri te njohja reciproke me Serbinë, Prishtina duhet të bëjë kompromise.
Escobar u paraqit të mërkurën para nënkomitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Escobar tha se ky proces nuk është për statusin e Kosovës, por për njohjen e ndërsjellë.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin ato si negociata të vërteta për të arritur qëllimin kryesor të tyre që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së, dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare që ata duan të anëtarësohen. Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri, Jeffery Hovenier e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe ne do të vazhdojmë që ta mbështesim atë”, tha Escobar.
Së fundmi, Escobar, së bashku me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë dhe u kanë bërë thirrje palëve që të rikthehen në bisedime, pasi që nga korriku i vitit të kaluar, në Bruksel nuk është mbajtur asnjë takim i nivelit të lartë.
Escobar dhe Lajçak po ashtu kanë kërkuar që të jetësohet marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
I pyetur nga senatorët amerikanë nëse Asociacioni do ta destabilizonte Kosovën, Escobar tha se mendon që kjo gjë nuk do të ndodhë.
“Ne e mbështesim krijimin e Asociacionit për shumë arsye. E para është se për të palët veçse janë pajtuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pjesë nuk kanë qenë në përputhje me Kushtetutën, nuk ka thënë se vetë Asociacioni është jokushtetues. Në kontekstin e dialogut, është në dorën e Kosovës dhe Serbisë që të vendosin se si do të dukej. Nuk duhet të jetë, dhe sigurisht ne nuk duam që të jetë i ngjashëm me Republika Sërpskan, por ne i kemi bërë thirrje, dhe homologu im Lajçak i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të shikojë modelet që ata besojnë se mund të jenë të përshtatshme që nuk do të minojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e tyre”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është kundër krijimit të një asociacioni njëetnik, ndërkaq Serbia insiston që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.
Escobar, që njëherësh është edhe zëvendësndihmës sekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, tha se në Ballkanin Perëndimor ka ndikim malinj rus dhe kinez.
Rusia, sipas tij, nuk ka shumë ndikim në aspektin e investimeve ekonomike, por në fushën e energjisë, ndërkaq, ndikimi kinez sipas tij bëhet përmes projekteve infrastrukturore dhe borxheve për projekte të ndryshme. Megjithatë, ai shtoi se Uashingtoni ka strategji për ta luftuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan.
Duke folur për Bosnje e Hercegovinën, Escobar tha se problemi kryesor që po ndikon në jofunksionalitetin e këtij shteti është korrupsioni në nivel të lartë, që sipas tij, po bën që nga ky shtet të ikin të rinjtë dhe të bllokohet procesi integrues i Sarajevës zyrtare.
“Doni Fruits” është një kompani e Kosovës, produktet e së cilës përdoren në ushqime që përgatiten nga brendet ndërkombëtare.
Kjo kompani, e cila veprimtarinë e saj e ka të shtrirë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, merret me kultivimin, grumbullimin, shitjen dhe shpërndarjen e frutave dhe perimeve.
“’Doni Fruits’ është i aprovuar në 77 vende të botës, ku i lejohet të furnizojë ‘Burger King’-un me produkte. Ne kemi marrë aprovimin nga qendra e ‘Burger King’-ut në Amerikë”, thotë pronari i kësaj kompanie, Ejup Ahmeti, duke iu referuar zinxhirit amerikan të ushqimeve të shpejta.
Furnizimet në dhjetëra vende, si: Gjermania, Holanda, Italia, i bën tash e sa vite, ndërsa në të tjera pret të nisë shpejt. Ahmeti thotë se kompania që drejton, është pajisur me disa certifikata ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë, të tilla si: Global G.A.P, ISO 9001 dhe HACCP.
Ai thotë se afati i tyre është njëvjeçar. Ekspertët e kompanive që i kanë lëshuar ato, bëjnë auditime në tre apo gjashtë muaj.
Për të arritur deri këtu, Ahmeti thotë se është dashur shumë angazhim.
“Ne kemi disa vite që jemi fokusuar në sigurinë ushqimore. Çfarë do të thotë kjo? Ne monitorojmë prodhimin. Prodhimet tona janë të sigurta. Në bazë të analizave në fund, produktet tona dalin pa mbetje të pesticideve dhe pa mbetje të ndonjë metali të rëndë”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.
Kompania “Burger King”, e themeluar në vitin 1954, është një nga rrjetet më të mëdha të hamburgerëve në botë. Ajo ka hapur pika të saj të shitjes edhe në Kosovë, në vitin 2019.
Shkumbin Muçolli, menaxher i përgjithshëm i përfaqësisë në Kosovë të “Burger King”-ut, thotë se një nga sfidat më të mëdha për këtë brend ndërkombëtar ka qenë sigurimi i produkteve të Kosovës.
Por, “pas një procesi shumë të gjatë, kemi arritur që perimet t’i marrim nga një prodhues vendor”, thotë ai.
“Ne kemi të licencuar për herë të parë në Kosovë kompaninë ‘Doni fruits’ që bën furnizimin edhe jashtë Kosovës të ‘Burger King-ut’”, thotë Muçolli.
Sipas tij, Kosovës nuk i mungojnë prodhimet cilësore, por mbetet prapa me standardet ndërkombëtare.
“Çdo produkt që prodhohet, i ka disa faza dhe standarde që duhet të plotësohen. Ato janë ndërkombëtarisht të rregulluara. Standardet tregojnë se si prodhohet, si ruhet dhe si transportohet një produkt. Janë standarde ndërkombëtare që duhet të përcillen nga prodhuesi vendor”, thotë Muçolli.
Komisioni Codex Alimentarius, ose CAC, është organi përgjegjës që zhvillon dhe miraton standarde ushqimore, të cilat shërbejnë si referencë për tregtinë ndërkombëtare të ushqimit.
Ky komision mbështetet nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në Kosovë janë gjithsej 2,400 kompani prodhuese eksportuese.
Megjithatë, Kosova vazhdon të përballet me deficit të lartë tregtar.
Sipas të dhënave që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në dhjetor të vitit të kaluar, eksportet nga Kosova kanë shënuar rritje, por vazhdojnë të jenë shumë të ulëta, krahasuar me importet.
Sipas ASK-së, eksporti i mallrave në muajin dhjetor ka pasur vlerën e 65 milionë eurove, ndërsa importi 460 milionë euro.
Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, eksporti ka shënuar rritje për 39.3 për qind.
Sipas ASK-së, vlera totale e eksportit të mallrave gjatë vitit 2021 ka qenë 750 milionë euro.
Eksporti i ushqimit dhe kafshëve të gjalla, vitin e kaluar, ka qenë më i larti në pesë vjetët e fundit. Vlera e eksporteve nga ky sektor më 2021 ka qenë afro 50 milionë euro. Një vit më herët, kjo vlerë ka qenë 41 milionë euro, ndërsa më 2018 rreth 33 milionë euro.
Kosova më së shumti eksporton mallra të përpunuara. Gjatë vitit 2021, shuma e eksportuar e mallrave të përpunuara ka qenë rreth 223 milionë euro.
Në anën tjetër, vlera e importit në Kosovë gjatë vitit 2021 ka kaluar 4.5 miliardë euro.
Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka dërguar letër Presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Në letrën e publikuar nga presidenca e Serbisë, Joe Biden i kujton Vuçiç se rruga evropiane e Serbisë varet nga progresi drejt normalizimit të plotë të raporteve me Kosovën raporte për të cilat Biden thekson se duhet të bazohen në njohje reciproke.
“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së gjithashtu varen nga progresi drejt normalizimi të plotë të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës, të cilat, siç edhe ju e dini, duhet të bazohen në njohje reciproke. SHBA-ja qëndron e gatshme që t’iu mbështes për të punuar në mirëbesim për të arritur një synim të tillë. Familja evropiane nuk është e plotë pa Serbinë dhe pa të gjithë fqinjët e saj”, ka thënë Biden në letrën dërguar Vucic. bw
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla bën me dije përmes një statusi në rrjetes sociale si më poshtë:
“Me votën e Këshillit Federal gjerman, sot u përmbyll procesi i gjatë dhe i vështirë i njohjes së lejeve të drejtimit/patentave nga Kosova. Mijëra e mijëra qytetarë të Kosovës në Gjermani kanë qenë për vite me radhë të privuar nga e drejta e tyre për të drejtuar automjete me lejen/patentën e tyre të fituar në Kosovë.
Ky proces do të duhej të kishte përfunduar shumë më herët. Mijëra Euro kanë paguar familjet shqiptare në Gjermani për të bërë patentën gjermane, e cila për një shumicë të konsiderueshme të tyre ndërlidhej drejtpërdrejtë me mundësinë për të punuar ose jo.
Megjithatë sot është një ditë e mirë, së cilës mund t’i gëzohemi të gjithë bashkë.
Jam e bindur që shembulli me Gjermaninë të jetë një ndihmesë e madhe edhe gjatë bisedimeve dhe negociatave që jemi duke zhvilluar me shtete të tjera rreth njohjes së lejeve/patentave tona.
Jam e ndërgjegjshme që qytetarët tanë jashtë vendit ballafaqohen edhe me plot sfida të tjera, të cilat kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë. Por në anën tjetër jam e bindur që me punë e përkushtim në të ardhmen do të mund t’i zgjidhim një e nga një edhe një pjesë të madhe të tyre.
Gjatë ditëve në vijim do të informoheni rreth afateve ligjore si dhe të gjitha detajeve të rëndësishme lidhur me përdorimin e lejes/patentës suaj në Gjermani.
Falënderoj nga zemra TË GJITHË ata, të cilët me punën e tyre kontribuan sado pak në njohjen e lejeve/patentave nga Kosova në Gjermani.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj veçanërisht ish-Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, z. Heiko Maas për mbajtjen e premtimit të dhënë vitin e kaluar në Prishtinë që çështjen e këtyre lejeve/patentave do ta përcillte në Këshillin Federal para se të përfundonte mandatin e tij.”
Në Kosovë aktualisht vetëm pesë për qind e energjisë elektrike prodhohet nga burime të ripërtërishme, ndërsa 95 për qind nga termocentralet me qymyr linjit, që konsiderohen si ndotës të mëdhenjë të mjedisit. Ekspertët thonë se Kosova ka mundësi të mëdha të pashfrytëzuara për prodhimin e energjisë posaçërisht nga dielli dhe era, por ende eshtë larg përmbushjes së synimeve për prodhimin e energjisë së pastër.
Kompania “Doni Fruits”, e cila merret me pemë dhe perime, deri në vitin 2016 paguante deri në dy mijë euro në muaj për energjinë elektrike. Por Bekim Sinani nga kjo kompani thotë se gjërat që atëherë ndryshuan. Kompania vendosi panelet diellore dhe faturat për energjinë janë përgjysmuar.
“Përfitimi në investimin për energji të ripërtërishme nuk e përfshin vetëm një palë. Është e vërtetë që ne përfitojmë në raport me faturën sepse na vjen 50 për qind më e lirë sesa pa panele solare. E dyta kemi pak pjesëmarrje në kursimin e energjisë elektrike në vendin tonë por edhe një pjesëmarrje shumë minimale në ruajtjen e ambientit”, thotë ai.
Zoti Sinani thotë se kompania planifikon që të sigurojë 70 për qind të energjisë nga panelet diellore.
“Përafërsisht tani ne si kompani shfrytëzojmë rreth 90 kilovat në panele solare me pretendimin që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022 do të vendosen diku edhe 100 kilovat në objektin e ri ku jemi në ndërtim”, thotë ai.
Lulzim Syla nga kompania ELEN e cila merret me instalimin e paneleve diellore tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se kërkesa për energji të ripërtërishme në Kosovë është shtuar dukshëm, posaçërisht pas debateve për shtrenjtim të energjisë elektrike.
“Deri tani në Kosovë janë realizuar përafërsisht rreth 30 megavat, e që në nivel vendi është një tregues i mirë sepse vit pas viti po rritet kërkesa për energji solare. Më tepër ka interes te bizneset për shkak se kthimi është më i shpejtë duke u bazuar në çmimin e energjisë elektrike por edhe familjet kanë filluar që të rrisin interesimin dhe kërkesën për energji solare, sidomos pas njoftimeve të fundit për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Sa i përket burimeve të energjisë së ripërtërishme, sidomos të energjisë solare, ja vlen të investohet sepse fatmirësisht viteve të fundit çmimi i energjisë solare ka rënë për kilovat”, thotë ai.
Kthimi i investimit për biznese merr katër deri në gjashtë vite, ndërkaq për familjet gjashtë deri në tetë vite thotë zoti Syla.
Ish ministri i Energjisë, Ethem Çeku i tha Zërit të Amerikës se zgjidhja e krizës energjetike duhet kërkuar në investimet në energji të ripërtërishme krahas investimit në blloqe të reja të termocentraleve.
“Në qoftë se ne nuk investojmë në ndërtimin e blloqeve të reja, nëse nuk i hapim dyert për sektorin privat në fushën e energjisë solare dhe me erë, në qoftë se ZRRE-ja nuk jep leje të reja për kapacitete të reja në përdorimin e energjisë solare apo me erë, atëherë ne do të blejmë vazhdimisht energji elektrike, Kosova do të hyjë në krizë edhe më të thellë, ligniti i Kosovës do të defaktorizohet si një nga resurset më të mëdha që i ka Kosova”, thotë ai.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian gjatë një takimi javën e kaluar të Këshillit të përbashkët për energjinë shprehën mes tjerash angazhimin për të konsoliduar siç thanë sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë krah për krah në objektivin e përbashkët të kalimit në energjia e pastër.
“Asnjëherë Kosova nuk ka pasur rast më të mire që të ndërtojë kapacitete të reja gjeneruese e të bëhet një zonjë në këtë pjesë të Ballkanit me prodhimin e energjisë qoftë nga ligniti por edhe të energjisë alternative nga era dhe energjia solare”, thotë zoti Çeku.
Besfort Kosova nga Balkan Green Foundation, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se në Kosovë ka mundësi të pashfrytëzuara të energjisë nga era por edhe nga dielli.
“Energjia solare është me një ndikim shumë të vogël fatkeqësisht në Kosovë dhe ka mundësi shumë të mëdha sidomos nga energjia që vjen prej kulmeve të shtëpive, jo nga fermat e mëdha të cilat kanë paisje foto voltaike. Por sidomos mundësia e pashfrytëzuar e Kosovës është te kulmet individuale rezidenciale ku ne kemi shumë pak, rreth 4 megavat në gjithë vendin e që ky numër në të ardhmen mund të shkojë deri në 400 megavat por ka munguar shtytja gjithashtu edhe nxitjet e formave të tjera si ulja e tatimit për paisje foto voltaike”, thotë ai.
Me këtë ritëm investimesh, sipas tij,, Kosova e ka thuajse të pamundur të përmbush detyrimet ndërkombëtare për kalim në energji të ripërtërishme.
“Kosova si anëtare e Traktatit të Energjisë ka obligim që energjia elektrike dhe energjia në përgjithësi të jetë më e gjelbër dhe të dekarbonizohet dhe si rezultat i këtij dekarbonizimi Kosova tash për tash ka arritur rreth 25 për qind sa i përket bruto prodhimit të energjisë të jetë nga burimet e ripërtërishme kurse caku i ardhshëm pritet që të jetë 32 për qind. Me këtë ritëm është e pamundur të arrihet për shkak të mungesës së investimeve dhe do të jetë një sfidë e veçantë arritja e këtij caku nëse nuk ndërmirret diçka më shpejtë dhe të ketë nxitje më të fuqishme”, thotë ai.
Aktualisht në Kosovë 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji.
Kosova pret që projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut të vazhdojë, tha të mërkurën ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ai tha se njoftimi i 8 shkurtit nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për pezullimin e projektit, nuk nënkupton që programi është anuluar plotësisht.
“Ne i kuptojmë shqetësimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Unë jam në komunikim të përditshëm me të gjithë, përfshirë edhe me ambasadorin e respektuar të Gjermanisë në Kosovë. Të gjithëve iu kemi dhënë sqarime shtesë, shteruese për qëllimet tona, për projektin tonë dhe jemi të gatshëm që t’iu ofrojmë çfarëdo që kanë nevojë, të gjitha sqarimet, t’i shterim të gjitha diskutimet për të ecur përpara me këtë projekt. Ne mendojmë që punën e nisur bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta vazhdojmë tutje dhe nga këtu i ftoj të gjithë për reflektim dhe për racionalitet”, tha Çeku.
Ai tha se debatet e fundit lidhur me rolin e Xhafer Devës në periudhën e Holokaustit, nuk e kanë burimin në Kosovë.
“Debati i ditëve të fundit e ka origjinën në Serbi dhe kjo është shumë e qartë. Paradoksalisht, një shtet që mohimin e gjenocidit dhe rehabilitimin e kriminelëve e ka politikë shtetërore, tenton ta fabrikojë një narracion, duke e portretizuara Kosovën si mohuese të Holokaustit ose duke e paraqitur projektin e restaurimit të këtij monumenti si përpjekje për rishkrim të historisë. Faktet historike janë kokëforta dhe qartësisht nuk janë në anën e Serbisë”, tha Çeku.
Pezullimi i restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës erdhi pas debatit të ngritur ditëve të fundit. Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.
Ministri Çeku tha se projekti ka për qëllim restaurimin e monumentit dhe jo që të “rehabilitohet historia e Xhafer Devës”, duke shtuar se Kosova është e gatshme të përballet me të kaluarën.
Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.
Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.
Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) të Kosovës i ka ndarë çmimin shkencëtari i vitit 2021 doktoreshës kardiologe Ibadete Bytyçi dhe atë shkencëtarja e re e vitit Fjolla Kaçanikut e cila është doktoreshë në fushën e edukimit.
Ministrja e MASHTI-t, Arbërie Nagavci, në aktivitetin tradicional të kësaj ministrie tha se po shpërblehen ata të cilët punën e tyre shkencore arrijnë ta plasojnë aty ku zë vend dija, në institucione të larta shkencore ndërkombëtare.
Nagavci tha se çmimet janë ndarë me rekomandimin e Këshillit Shkencor të MASHTI-t.
“Zonja Ibadete Bytyçi është doktoreshë e shkencave mjekësore, kardiolog, anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare. Ka tetë mirënjohje në nivel kombëtar dhe internacional për arritje profesionale shkencore. Ka katër libra të botuar, tre udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtar. Po ashtu 44 punime shkencore dhe 17 punime si autore e parë. Në konferenca shkencore ndërkombëtare është paraqitur gjithsej me 72 abstrakte prej tyre në 42 si autore e parë”, tha Nagavci.
Ndërkaq, shkencëtarja e re e vitit 2021, Fjolla Kaçaniku u bë e ditur se është doktor në fushën e shkencave të edukimit ndërsa puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të saj të paraqitura në databaza të indeksuara në skopus, në kuartalin e dytë dhe të tretë, të njohura ndërkombëtarisht si platformë shumë cilësore.
Ministrja Nagavci më tej tha se shpreson që rastet e të dy shkencëtareve që u shpërblyen të shpërbejnë si inspirim edhe për të rinjtë dhe të rejat tjerë të vendit. Ajo tha se si Kosovë është shumë e nevojshme që rastet e tilla individuale të mira të bëhen sa më të shpeshta.
Nga Këshillit Shkencor i MASHTI-t, bënë me dije se Kosova e ka një ligj për shkencën dhe hulumtimet shkencore, i cili e parasheh normën e ndarjes nga Buxheti i Kosovës për stimulimin dhe përkrahjen e hulumtimeve shkencore në përgjithësi.
Por u nënvizua se kjo normë, e cila është 0.7 për qind nga buxheti kosovar, është e ulët dhe duhet të bëhen përpjekje që ajo të ngritet me qëllim të stimulimit edhe më të madh të hulumtimeve shkencore në Kosovë.
Të gjitha marrëveshjet e deritashme, të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, duhet të zbatohen, tha të mërkurën i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai i bëri këto komente në një konferencë për media në Prishtinë, në fund të vizitës së përbashkët me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Marrëveshja e arritur në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga temat që diplomatët perëndimorë diskutuan me autoritetet kosovare, liderët e opozitës dhe shoqërinë civile, gjatë dy ditëve të fundit.
“Ne nuk kem ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët [Kosova dhe Serbia] që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, tha Escobar në konferencën e përbashkët me Lajçakun.
“Nuk duhet të jenë ato modele që minojnë sovranitetin apo funksionalitetin e Kosovës. Pra, ne duhet të gjejmë një. Ato mund të gjenden, mund të negociohen dhe mund të dakordohen. Ky është qëllimi i dialogut. Nuk është qëllimi i SHBA-së të imponojë një [model] ose të zgjedhë një, në emër të palëve”, tha Escobar.
Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik, apo ndonjë gjë që duket si Republika Sërpska në Bosnje e Hercegovinë.
Lajçak, në konferencën për media, tha se askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë.
“Nëse duam t’i japim fund ekzistencës së strukturave paralele [serbe në Kosovë], nëse duam transparencë në rrjedhat financiare, nëse duam rregulla të qarta në veri, këto mund të bëhen të gjitha brenda sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, tha Lajçak.
“Këshilla ime: Mos kini frikë nga diçka që nuk ekziston dhe askush nuk do t’ua imponojë. Jini të sigurt në vetvete, të vetëdijshëm për faktin se ju jeni bashkudhëheqës në këtë proces dhe jeni partnerë të barabartë. Nuk ka absolutisht asnjë arsye për t’u frikësuar nga procesi që po zhvilloni me Serbinë dhe ne jemi këtu për të siguruar se çdo vendim që do të merret, do të bazohet në standardet dhe vlerat e normave evropiane”, shtoi Lajçak.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “jo vetëm që do t’i zgjidhë çështjet e pazgjidhura, por do të kontribuojë edhe në stabilitetin në rajon dhe do të sjellë përfitime shumë konkrete për qytetarët”, që, siç tha, “duhet të jenë të lodhur nga status quo-ja”.
Lajçak tha se komuniteti ndërkombëtar priste përparim më të shpejtë në vitin 2021 dhe shpreson se kjo do të ndodhë në vitin 2022.
Ai po ashtu tha se shpreson që shumë shpejt, dialogu të vazhdojë me takime të nivelit të lartë.
“Dialogu nuk ka të bëjë me negocimin e statusit të Kosovës. Dialogu ka të bëjë me negocimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, tha Lajçak.
Escobar tha se shpreson që në fund të këtij procesi, si rezultat, të ketë një zgjidhje që do të funksionojë si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.
Ai përsëriti se SHBA-ja mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.
Në konferencën për media, Escobar dhe Lajçak thanë se partitë opozitare të Kosovës kanë shprehur mbështetje të plotë për procesin e dialogut.
Tri partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimit me diplomatët perëndimorë, kanë qenë unanime në lidhje me rezultatin përfundimtar që duhet të sjellë dialogu. Përfaqësuesit e tyre thanë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë brenda kufijve ekzistues të Kosovës.
Goran Rakiq, kryesues i Listës Serbe – partisë kryesore serbe në Kosovë – tha se ua ka përcjellë diplomatëve perëndimorë se populli serb i kundërshton “qëllimet e Prishtinës për të reduktuar obligimet e tij, sa u përket kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Duke iu drejtuar gazetarëve të mërkurën, pas vizitës së diplomatëve perëndimorë, Kurti tha se Kosova është palë konstruktive në dialog.
Ai tha se Kosova nuk frikësohet sa i përket zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin, por tha se është “e kujdesshme”.
“Marrëveshja duhet të arrihet. Jemi të gatshëm që të punojmë për këtë dhe kur bisedojmë, të bisedojmë për marrëveshje. Nuk bëjmë dialog për dialog. Jemi konstruktivë, jemi seriozë dhe njëkohësisht e vëmë theksin tek ajo, për të cilën po pajtohen gjithnjë e më shumë të gjithë faktorët ndërkombëtarë, e që e ka thënë në mënyrë shumë të qartë [edhe] presidenti i SHBA-së, Joe Biden, që marrëveshja për normalizimin e plotë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti.
Në konferencën e përbashkët me dy diplomatët perëndimorë, të mbajtur të hënën, Kurti tha se Kosova është e vendosur “që integriteti territorial, sovraniteti, funksionaliteti shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria të mbeten të paprekura nga çdo përpjekje e kujtdo”.
Takimi i fundit i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut, është zhvilluar në korrik të vitit të kaluar.
Escobar dhe Lajçak vazhdojnë sot vizitën në Serbi.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka prezantuar sot ekipin drejtues të kësaj partie në Komunën e Prishtinës, raporton Express
Përmes një konference për shtyp, Ismaili tregoi se PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun në pozitën e nënkryetares së Komunës së Prishtinës.
Ismaili ka prezantuar edhe katër drejtorët nga radhët e PDK-së.
Drejtore për Arsim është emëruar Besianë Musmurati, Drejtor për Sport do të jetë Granit Rugova, Drejtor i Shërbimeve Publike do të jetë Ilirik Musliu, ndërsa Drejtor i Bujqësisë është emëruar Plator Gërdovci. Gjatë ditëve në vijim Ismaili pritet të emërojë edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.
Komunikata e plotë:
Sot Uran Ismaili prezantoi ekipin drejtues të PDK-së në Komunën e Prishtinës. Përmes një konference për shtyp, Ismaili tregoi që PDK ka emëruar për herë të parë një grua të përgaditur profesioniste dhe me vullnet për angazhim në shoqëri si nënkryetare të Kryeqytetit. Ai gjithashtu prezantoi edhe ekipin e katër drejtorëve nga radhët e PDK-së për katër vitet e ardhshme.
Ismaili tha se të gjithë të emëruarit në këto pozita janë figura të dëshmuara, profesionistë dhe me integritet, të cilët me angazhimin e tyre do të përmirësojnë jetën e qytetarëve të Prishtinës.
Në rolin e nënkryetares së parë grua të Prishtinës, PDK ka emëruar Donjeta Sahatçiun, një profesioniste të dëshmuar për shumë vjet në sferën e menaxhimit, teknologjisë, komunikimit strategjik dhe ngritjen e kapaciteteve.
Në 10 vitet e fundit, Sahatçiu ka udhëhequr kompaninë “Rrota”, një ndër kompanitë lidere në Kosovë për teknologji dhe komunikim digjital, në rolin e drejtoreshës ekzekutive dhe si bashkëpronare.
Sahatçiu ka studiuar për menaxhim, ekonomi dhe politika publike në RIT Kosovo, ku edhe është përzgjedhur studente e gjeneratës (2012), dhe menaxhim e administrim biznesi (eMBA) në Sheffield University.
Për shumë vjet me radhë, Sahatçiu ka qenë promotore e digjitalizimit, rritjes së cilësisë në arsim dhe qasjes së të rinjëve në tregun e punës. Ajo është mentoruese e ekipeve të reja start-up dhe bizneseve në rritje. Si konsulente e çertifikuar në transformimin digjital ka ndihmuar edhe në fuqizimin e grave në fushën e teknologjisë.
Sahatçiu gjithashtu është zgjedhur dhe ka shërbyer vullnetarisht në misionin e disa organizatave.
-Kryetare e Bordit në STIKK (Shoqata e Informacionit dhe Teknologjisë në Kosovë) në dy mandate;
-Kryetare e Bordit në VentureUP (Qendra e Inovacionit në Universitetin e Prishtinës) në dy mandate;
-Anëtare e Bordit në Universitetin Amerikan në Kosovë (RIT Kosovo) në dy mandate:
-Anëtare e Bordit në Këshillin e Konsulentëve të Kosovës (BCC) në një mandat.
Gjatë kësaj konference, Ismaili ka prezantuar edhe katër drejtorët nga radhët e PDK-së. Drejtore për Arsim është emëruar Besianë Musmurati, Drejtor për Sport do të jetë Granit Rugova, Drejtor i Shërbimeve Publike do të jetë Ilirik Musliu, ndërsa Drejtor i Bujqësisë është emëruar Plator Gërdovci. Gjatë ditëve në vijim Ismaili pritet të emëroj edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.
Ka reaguar në rrjetin social Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani si më poshtë:
Keqpërdoruesit recidivistë të pushtetit, paskan tentuar dje të ndërtojnë narrativën se shpenzimet shumëfish më të vogla të kabinetit tim qenkan për shkak të “izolimit ndërkombëtar”.
Përderisa për këdo që pa paragjykime ka përcjellur aktivitetin tim për promovimin ndërkombëtar të shtetit tonë nuk kam nevojë ta jap këtë spjegim,
dua t’i them keqpërdoruesve recidivistë që e vetmja gjë që kam izoluar është dëmi i madh ndaj vendit për të cilin duhet t’u “falënderohemi” pushteteve paraprake.
Idetë për ndarje e defunksionalizim të Kosovës promovoheshin me para të taksapaguesve,
ndërkaq sot në vend se të skuqen për gjithë dëmin e shkaktuar, dalin e ankohen pse Presidentja e sotme nuk po vepron sikur pushtetarët paraprak.
Ta keni të qartë, ju nuk jeni standardi me të cilin ne e masim veten.
Jeni shembull i modelit që nuk duhet ndjekur.
Kujdesi ndaj parasë publike dhe transparenca e plotë janë rruga e vetme përpara.
E vërteta është se në vitin 2021, ne kemi realizuar më shumë aktivitete ndërkombëtare se sa në periudhat paraprake (pa pandemi), ndërkaq kemi shpenzuar shumëfish më pak.
Se sa të “izoluar”, kemi qenë këtë vit, tregon pamja më poshtë:
I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak gjatë takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Prishtinë 31 janar 2022.
RFE/RL
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Vizita e Escobarit dhe Lajçakut nisi me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë vizitës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak pritet të takohen me lidershipin politik, si dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.
Ndonëse Hovenier nuk i ka përmendur në mënyrë specifike ato modele, Osmani ka thënë të hënën se institucionet e Kosovës janë të vendosura që “të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional”.
“Propozimet, për të cilat po përflitet, për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës”, u ka thënë Osmani gazetarëve gjatë një vizite në Podujevë.
“Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive”, ka thënë Osmani, e cila ka qenë e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Besoj që pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë që të japim komentet tona”, ka thënë Kurti.
Kosova dhe Serbia vazhdimisht ia kanë hedhur fajin njëra-tjetrës për mosgatishmëri për dialog, ndërsa SHBA-ja dhe BE-ja u kanë bërë thirrje palëve që të angazhohen në këtë proces, që synim ka arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.
Në fund të vitit të kaluar, Kurti ka deklaruar se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia për vazhdimin e dialogut.
“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel, nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time”, ka deklaruar Kurti më 29 dhjetor,2021.
Më herët, ai ka thënë se është e pritshme që marrëveshja të arrihet gjatë mandatit të tij si kryeministër dhe gjatë mandatit të presidentit amerikan, Joe Biden.
Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar më 7 dhjetor se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën, porse Prishtina është ajo, e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.
Ministri i Jashtëm serb, Nikolla Sellakoviq, ka thënë më 30 janar se “fajtor” për moszhvillimin e rundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, prejse Kurti ka nisur udhëheqësinë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos”, ka thënë Sellakoviq.
Që nga koha kur Albin Kurti është bërë kryeministër i Kosovës në mars të vitit 2021, ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Që të dyja takimet kanë qenë të pasuksesshme dhe kanë dëshmuar se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.
Pikërisht kjo i ka detyruar zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog.
Serbia insiston që në kuadër të dialogut të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë që është kundërshtuar nga Kosova.
Për Prishtinën zyrtare, çështja e personave të zhdukur e lëvizja e lirë janë në mesin e prioriteteve.
Asociacioni është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
BE-ja vazhdimisht bën thirrje që Asociacioni të krijohet, duke thënë se “është obligim i Kosovës nga Marrëveshja e Brukselit”, por Qeveria aktuale e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka nisur në vitin 2011.
Ndonëse, fillimisht, është paralajmëruar se Kosova dhe Serbia do të kenë dialog teknik, të cilin do ta udhëheqin grupet punuese të të dyja vendeve, në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik për normalizimin e marrëdhënieve.
Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik.
Marrëveshja e parë, që është arritur në vitin 2011, ka qenë për librat e amzës dhe më pas është nënshkruar edhe marrëveshja për lirinë e lëvizjes.
Kanë pasuar edhe marrëveshje të tjera, si ajo për vulat doganore, për pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufijve, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomunikacionin dhe vizitat zyrtare, për energjetikën, për gjyqësorin etj. Por këto marrëveshje nuk janë zbatuar të gjitha në terren.
Amerikanët i kanë propozuar qeverisë së Albin Kurtit modele që sipas tyre mund të funksionojnë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Ambasadori Jeff Hovenier tha se e kanë inkurajuar qeverinë që t’i shqyrtojë. Këtë e ripërsëriti Emisari Special, Gabriel Escobar. Qeveria e Kosovës ka zgjedhur të hesht para ‘elefantit në dhomë’ pasi s’është përgjigjur në pyetjet e gazetës se çfarë modele u janë propozuar nga ShBA-ja dhe se a do t’i shqyrtojnë ato. Lidhur me këtë çështje kanë folur për Gazetën Express Isa Mustafa, Lutfi Haziri e Visar Ymeri.
Çështja e Asociacionit është ritkthyer në diskursin e politikës kosovare këto ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier i cili tha se SHBA beson se në Kosovë duhet të ketë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.
Por, teksa ka shpalosur qëndrimin e vendit të tij, diplomati amerikan është kujdesur që t’ia heq brengat lidershipit dhe opinionit kosovar. Hovenier këtë e ka bërë duke e shpalosur përvojën e tij në bisedimet e Vjenës ku është vendosur për provizionet e pakos së Ahtisaarit rreth kësaj çështjeje.
“Në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive, diçka që… jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Sërpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme” ka theksuar ai.
Gazeta Express ka pyetur Qeverinë e Kosovës rreth propozimeve që amerikanët kanë sugjeruar, por nuk ka marrë përgjigje. As nga zyra e shefes së shtetit, Vjosa Osmani, s’kanë komentuar në lidhje me këtë çështje.
Në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel, kur Përfaqësuesi i Lartë Josep Borell ia përmendi këtë temë Albin Kurtit, pati përplasje mes tyre
“Kam frikë se ky Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, është më shumë në shërbim të Beogradit sesa qytetarëve të varfër serbë të Kosovës, të cilëve unë u shërbej si kryeministër i republikës sonë”, tha Kurti derisa ia përmendi Borellit vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asocacionin.
E Borell tha se nuk pajtohet me qëndrimin e Kurtit.
“Nuk pajtohem me ju që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Më vjen keq kryeministër, por duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje” tha Kurti.
Gazeta Express ka folur me Lutfi Hazirin, përgjegjësin për dialog dhe bashkëpunim rajonal nga LDK-ja, i cili thotë se modelet e propozuara nga amerikanët për Asociacionin s’janë jashtë Marrëveshjes së vitit 2013 të negociuar në Bruksel.
“Nuk ka diçka të veçantë jashtë asaj që është bisedu në Bruksel, pra Marrëveshja e parë e nënshkruar në vitin 2013, pa u prekë nga Gjykata Kushtetuese. Mbetet me pa, vizita është në fillim të javës së ardhshme, mbetet me pa krejt çka ka eventualisht, por unë po besoj që dokumenti si i tillë nuk ka dalë jashtë Marrëveshjes së Brukselit”, tha Haziri për Express.
Edhe opinionisti Visar Ymeri pohon që modelet e propozuara mund të jenë të ngjashme me Marrëveshjen e vitit 2013.
“Unë e kam të pamundur ta di se çfarë modele janë këto të propozuarat. Megjithatë nuk besoj se janë shumë larg e shumë jashtë kornizave të caktuara nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013, kjo e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës më 2013 e e konfirmuar pastaj edhe përmes aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të dhjetorit të vitit 2015”, tha Ymeri për Gazetën Express.
Ndërsa, Ish-kryeministri Isa Mustafa duke folur për Express thotë se s’mund ta di se çfarë modalitete kanë propozuar amerikanët por që gjatë kohës së tij si shef ekzekutivi kanë qenë modalitete të përmbajtura dhe të pajtuara me marrëveshjet e atëhershme.
“Sa u përket amerikanëve, unë nuk i jap vetes të drejtë të them se çfarë janë modalitetet e tyre. Unë vetëm mund të them se çfarë kanë qenë në kohën kur unë kam qenë kryeministër, e të cilat janë të përmbajtura dhe të pajtuara në marrëveshjet e atëhershme”, tha Mustafa.
Haziri i cili ka qenë njëri nga akterët kryesor të bisedimeve të Vjenës tha se është e domosdoshme që kryeministri Albin Kurti të bashkëpunojë ngushtë me amerikanët pas dinamizimit të rolit të tyre dhe vizitës së parë në Kosovë të Emisarit Special, Escobar.
“Domosdoshmërisht bashkëpunimi me qeverinë amerikane[i qeverisë së Kosovës] në kohën kur ata e dinamizojnë rolin e tyre në Ballkan duhet të jetë i ngushtë dhe në partneritet të ngushtë. Ardhja për herë të parë e Escobarit si Përfaqësues i Veçantë i SHBA-ve, i jep edhe dinamikë të re edhe shpresë dialogut”, u shpreh Haziri.
Por skeptik është ish-kryetari i VV-së, Visar Ymeri, që vlerëson se kryeministri Kurti s’ka ndryshuar qëndrim për çfarëdo mundësie të zbatimit të ndonjë versioni të mundshëm të Asociacionit.
“Deri tash Qeveria dhe Kryeministri kanë qenë tërësisht refuzues ndaj çfarëdo mundësie të zbatimit të cilitdo version të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe. Deri tash nuk ka ndonjë indikacion publik se kanë ndryshuar qëndrim në këtë drejtim”, tha ai.
Ymeri thotë se abstenimi nga dialogu do t’i kushtojë shumë Kosovës.
“Mendoj që Qeveria e Republikës së Kosovës do të duhej ta merrte seriozisht procesin e dialogut dhe t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që na janë krijuar përmes përfshirjes shumë më të vendosur të ShBA që të përmbyllet procesi i dialogut dhe t’i hapen rrugë të reja subjektivizimit ndërkombëtar të Kosovës. Në këtë drejtim Qeveria e Republikës dhe veçanërisht Kryeministri Kurti duhet ta ravijëzojnë qëndrimin e vet parimor e strategjik për qëndrimet e Kosovës në dialog dhe mënyrën se si mendojnë t’i zgjidhin çështjet të cilat diskutohen aty. Abstenimi nga dialogu mendoj se do t’i kushtojë shumë Kosovës”, u shpreh Ymeri.
Për t’i kthyer Kosovën e Serbinë në tavolinën e dialogut, ShBA-ja dhe BE-ja kanë angazhuar emisarët e tyre specialë Gabriel Escobar e Miroslav Lajçak të cilët do të qëndrojnë në Prishtinë e Beograd në fillim të javës së ardhshme.
Gabriel Escobar konfirmoi atë që e tha ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, se i kanë propozuar qeverisë së Kosovës modele se si mund të funksionojë Asociacioni dhe i kanë inkurajuar që t’i shqyrtojnë.
“Presim që si Kosova, ashtu edhe Serbia t’i respektojnë zotimet e mëhershme. Qeveria e Kosovës është zotuar që të ketë një Asociacion i komunave me shumicë serbe (AKS). Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë dhe nuk do të diktojnë se çka duhet të bëjë ky Asociacion e as cilat duhet të jetë kompetencat e tij; ky është vendim sovran që duhet ta marrë qeveria e Kosovës. Ka shumë modele që funksionojnë, duke përfshirë modele të shumta që do të lejonin bashkërenditje më të mirë lokale pa një nivel tjetër të qeverisë ose pushtetit ekzekutiv. E nxisim qeverinë e Kosovës që t’i shqyrtojë me kujdes këto modele”, ka thënë dje Escobar për gazetën online ‘Reporteri’
Që të punojë ngushtë me Escobarin dhe Hovenierin, kryeministrin Kurti e ka porositur kryediplomati amerikan Antony Blinken përmes një letre që i ka dërguar para dy javësh.
Shefi i politikës së jashtme të ShBA-së në letrën e tij ka shprehur qëndrimin se presin të bashkëpunojnë me kryeministrin Kurti për ta zbatuar agjendën e presidentit Biden, përfshirë marrëveshjen e vonuar Kosovë-Serbi me fokus në njohjen reciproke.
Letrën e Blinkenit, shefi i qeverisë Albin Kurti me tone paksa sarkastike duke iu përgjigjur kritikave e ka konsideruar të mirë dhe që ia vlen të rilexohet.
Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të jetë një nga temat, të cilat priten të diskutohen gjatë vizitës së të dërguarit të Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, javën e ardhshme, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike shqiptarë dhe serbë, Violeta Haxholli dhe Dushan Radakoviq.
Megjithatë, ata thonë se mbetet e panjohur ende për shoqërinë civile, por edhe për publikun në tërësi, se cilat janë modelet për formimin e Asociacionit, që i janë ofruar Qeverisë së Kosovës për shqyrtim, e të cilat i ka përmendur ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, gjatë një interviste në shërbyesin publik, Radio Televizionin e Kosovës.
“Ka modele, të cilat ne mendojmë se mund të funksionojnë dhe e kemi inkurajuar Qeverinë e Kosovë që t’i shqyrtojë ato modele dhe ta shqyrtojë atë çështje”, ka thënë Hovenier, pa dhënë detaje mbi këto modele.
Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me modelet për formimin e Asociacionit. Ndërkaq, autoritetet serbe kanë theksuar se modeli i vetëm për Asociacionin është sipas marrëveshjeve të arritura më 2013 dhe 2015 në dialogun e Brukselit.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe prej disa kohësh është pengesë për dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Për formimin e saj u arrit Marrëveshja në Bruksel, në vitin 2013, si pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dy vjet më vonë, në Bruksel u arrit pajtimi lidhur me parimet për formimin e Asociacionit, të cilat Gjykata Kushtetuese e Kosovës në dhjetor të vitit 2015 i vlerësoi se nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës. Në bazë të atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, është kontestuese se Bashkësia nuk bazohet në multietnicitet, por mbledh komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb.
Pas vendimit të gjykatës, autoritetet kosovare refuzojnë zbatimin e marrëveshjes, me arsyetimin se Asociacioni është i dëmshëm, ndërsa pala serbe ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes dhe vazhdimisht ka kërkuar që kjo çështje të ngrihet për diskutim sërish në dialog.
Vitin e kaluar, një dialog politik i nivelit të lartë, aktualisht i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës , Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u mbajt vetëm dy herë. Përveç deklaratave kontradiktore, nuk ka pasur ndonjë përparim konkret.
Haxholli: Shoqëria civile pa informacion për modelet për Asociacionin
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri më tash, përveç deklaratës së ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, ku ai ka përmendur se ekzistojnë modele për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shoqëria civile nuk ka asnjë informatë se për çfarë modelesh bëhet fjalë.
“Megjithatë, unë besoj që ajo çfarë është me rëndësi në deklaratën e ambasadorit amerikan, është se ai vazhdimisht e ka theksuar se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, se askush nuk është i interesuar që në Kosovë të krijohet një Republikë e re Serbe, që integriteti dhe sistemi unitar kushtetues i Kosovës është i garantuar. Kjo është shumë me rëndësi për Qeverinë e Kosovës përderisa të vendosë ta shqyrtojë çështjen e Asociacionit”, thotë Haxholli.
Radakoviq: Modelet për Asociacionin do t’i paraqesin Escobari dhe Lajçaku
Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës për përfaqësim të kulturës demokratike nga Mitrovica e Veriut, thotë që, sipas burimeve të tij nga Kosova dhe Serbia, modelet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’u prezantohen autoriteteve në Kosovë dhe Serbi nga ana e të dërguarit të veçantë amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Mirosllav Lajçak.
Më herët, Zyra e Departamentit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë konfirmoi se Escobari dhe Lajçaku do të jenë në Kosovë dhe Serbi nga 30 janari deri më 4 shkurt.
Siç është thënë, qëllimi i vizitës së tyre është të inkurajojnë liderët në Prishtinë dhe Beograd që të normalizojnë marrëdhëniet nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe t’i zbatojnë reformat në rrugën e integrimit në BE.
“Të dy ata (Escobar dhe Lajçak) do të paraqesin disa modalitete, të cilat do të jenë të pranueshme, si për institucionet amerikane, ashtu edhe për ato evropiane, pra, modeli i Asociacionit dhe më pas u mbetet të dyja palëve nëse do ta pranojnë ose jo”, thotë Radakoviq për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se nuk dëshiron “të spekulojë mbi propozimet për një model të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Qeveria e Kosovës hesht
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se cilat janë modelet, që i ka përmendur ambasadori amerikan Hovenier, të cilat i janë propozuar autoriteteve të Kosovës që t’i shqyrtojnë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, deri në publikimin e këtij teksti, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje.
Në Kosovë janë gjithsej dhjetë komuna me shumicë serbe, gjashtë në jug të Ibrit – Graçanica, Shtërpca, Novobërda, Ranillugu, Parteshi dhe Kllokoti, ndërsa katër komuna në veri, territoret e të cilave janë të lidhura – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potok dhe Zveçani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në disa raste e ka ndërlidhur formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me Republikën Sërpska në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke shtuar se nuk do të lejonte formimin e tij me pushtet ekzekutiv sepse do të çonte në “mosfunksionim të shtetit”.
Autoritetet serbe: Asociacioni vetëm sipas Marrëveshjes së Brukselit
Ndërkaq, nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, nuk kanë dhënë përgjigje precize lidhur me pyetjen e Radios Evropa e Lirë, nëse autoriteteve të Serbisë u është prezantuar ndonjë model i ri për formimin e Asociacionit, por kanë thënë se në marrëveshjet e arritura deri më tash në Bruksel për formimin e Asociacionit, “gjendet modeli i vetëm i ekzistimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç është arritur dhe nënshkruar marrëveshja nga ana e Beogradit, Prishtinës dhe BE-së”.
“Beogradi i përmbahet fuqishëm parimit ndërkombëtar ‘Pacta sunt servanda’ (Marrëveshjet duhet respektuar)”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, në të cilën është shtuar që çështja e formimit të Asociacionit është definuar me marrëveshjet e vitit 2013 dhe të vitit 2015.
“Bëhet fjalë për gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit dhe 22 dispozitat e ‘Parimeve të përgjithshme’, të cilat përcaktojnë qartë ekzistencën e strukturës, qëllimeve, kompetencave ekzekutive, si dhe kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, kanë thënë nga Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë.
“Asociacioni, ndër kërkesat e Escobarit dhe Lajçakut”
Haxholli vlerëson se gjatë vizitës së paralajmëruar të Escobarit dhe Lajçakut në Prishtinë, mund të trajtohen katër tema me autoritetet e Kosovës. Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi pas ngecjes së shënuar së fundmi do të jetë një nga temat, vlerëson Haxholli, sipas së cilës mbështetësit e dialogut, BE-ja dhe SHBA-ja, po kërkojnë që sa më parë të zhvillohen takimet e nivelit të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Tema e dytë, sipas saj, mund të jetë çështja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që mbahen më 3 prill dhe Qeverisë së Kosovës do t’i kërkohet të shqyrtojë modalitetet e mundshme për votimin e serbëve të Kosovës, por që ato modalitete e respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Tema e tretë, sipas saj, mund të jetë zbatimi i aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese për kthimin e 24 hektarëve tokë dhe mal të Manastirit të Deçanit. Gjithashtu, sipas saj do të diskutohet edhe për Asociacionin.
“Çështja e katërt mund të jetë ajo e Asociacionit, pasi që për këtë çështje kemi një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese dhe një marrëveshje, e cila ende nuk është zbatuar. Këto mund të jenë ato katër kërkesat që mund t’i kenë përfaqësuesi evropian dhe ai amerikan për Qeverinë e Kosovës. Mjaft sfiduese janë, besoj unë”, thekson Haxholli.
“Një pako e re” nga Escobari dhe Lajçaku
Radakoviq thekson se formimi i Asociacionit lejohet me ligjet e Kosovës dhe se diçka e tillë përmendet edhe në Planin e Ahtisaarit, dokumenti në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe hartoi Kushtetutën.
Sipas tij, opinioni shqiptar ka krijuar një imazh të gabuar se Asociacioni mund të jetë i dëmshëm për Kosovën dhe se mund të bëhet një Republikë e re Serbe.
“Ky është edhe qëllimi i Escobarit dhe Lajçakut, për të shpjeguar se kjo nuk është ideja (krijimi i Republikës Serbe), kështu që ambasadori amerikan (në Kosovë, Jeffry Hovenier) tha dje dhe pardje se nuk mund të ketë Republikë të re Serbe në Kosovë. Por, të drejtat (e komuniteteve) duhet të respektohen, siç shkruhet në Planin e Ahtisaarit, por edhe në ligjet e Kosovës dhe mbi të gjitha në Ligjin për vetëqeverisjen lokale”, thekson Radakoviq.
Ai shton se Escobari dhe Lajçaku, “po sjellin një pako të re, e cila mbase mund të jetë më tërheqëse për Kosovën, konkretisht për (kryeministrin Albin) Kurtin, se sa që ka qenë deri më tash”.
Çfarë parasheh Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin?
Në Marrëveshjen e parë të Brukselit, të vitit 2013, për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në atë marrëveshje është e shkruar që ky Asociacion do të themelohet në bazë të statutit dhe se shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse.
Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë të Brukselit, Kosova dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila harmonizoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyçe.
Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, qëllimet, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kjo marrëveshje parasheh që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të themelohet siç është paraparë në Marrëveshjen e parë, me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë dhe ligjet e Kosovës.
Disa prej qëllimeve përmenden se janë: forcimi i demokracisë lokale; kryerja e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë vendore; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në fushën e arsimit; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në kujdesin parësor dhe dytësor shëndetësor dhe social; kryerja e mbikëqyrjes së plotë në koordinimin e planifikimit urban dhe rural; ofrimi i shërbimeve për anëtarët e saj në përputhje me ligjet e Kosovës.
Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të ketë një Kuvend, një kryetar që përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një zëvendëskryetar, një këshill, një bord, një administratë, një zyrë për ankesa, ndërkaq që do të duhej të përcaktohej me statut.
Çështja kryesore në lidhje me themelimin e Asociacionit është ajo e kompetencave të saj.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se këto parime për Asociacionin nuk ishin plotësisht në harmoni me frymën e Kushtetutës, të përmendur në nenin 3, për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore”, si dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.
Me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese ishte përcaktuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet ashtu siç e parasheh Marrëveshja e parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shprehin mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin.
Vendet perëndimore paralajmërojnë se situata mund të përshkallëzohet shpejt në një sulm të Rusisë kundër Ukrainës, edhe pse Moska e mohon një gjë të tillë.
Shteti rus ka javë që ka pozicionuar trupa në kufi me fqinjin e tij, si dhe në gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin e ka aneksuar në vitin 2014.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.
“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.
“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.
Vitin e kaluar, Forca e Sigurisë e Kosovës ka qenë për herë të parë pjesë e misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kuvajt, së bashku me trupat amerikane.
Presidenca: Kosova qëndron përkrah Ukrainës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Zyra e Presidentes së Kosovës konfirmon se “Republika e Kosovës qëndron përkrah Ukrainës, duke e mbështetur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj, pas agresionit të Rusisë të vitit 2014 dhe grumbullimit të forcave ushtarake ruse në afërsi të kufirit të saj me Rusinë”.
Në përgjigjen e Zyrës së Presidentes së Kosovës thuhet se lëvizjet e fundit ushtarake të Rusisë janë kërcënim jo vetëm për Ukrainën, por edhe për gjithë kontinentin evropian dhe se çdo shkelje e sovranitetit të Ukrainës “paraqet sulm të drejtpërdrejtë ndaj një shteti të pavarur, sulm ndaj demokracisë në kontinentin tonë dhe vazhdimësi të fushatës agresive të Rusisë”.
“Ne nuk jemi të vetëm në mbështetje të Ukrainës, por përkrah aleatëve tanë, SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me shtetet, të cilat dëshirojnë avancimin e vlerave demokratike në kontinentin tonë dhe në mbarë botën”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përkrahin Ukrainën, Serbia hesht
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë përmes një postimi në Facebook më 24 janar, se i bashkohet shqetësimit të partnerëve të NATO-s për rritjen e numrit të trupave dhe mjeteve ushtarake ruse në kufijtë me Ukrainën, duke theksuar se “kërcënimi dhe eventualisht agresioni ushtarak ndaj Ukrainës përbëjnë kërcënim direkt ndaj sigurisë evropiane dhe shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare”.
“Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe apelon për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe mjeteve diplomatike”, ka shkruar Meta në Facebook.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka thënë se ky vend mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Ajo ka thënë se Maqedonia e Veriut, si anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë vendimet e aleancës, duke mos përjashtuar përfshirjen në konflikt.
“Është e mundur që Ushtria e Maqedonisë së Veriut të përfshihet në një konflikt të mundshëm ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, por vetëm nëse këtë e kërkon NATO-ja”, ka thënë Petrovska për televizionin maqedonas, Telma, duke theksuar se një veprim i tillë do të ishte i mundur vetëm me pëlqimin e komandantit suprem, përkatësisht presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski.
Ambasada e Rusisë në Shkup ka reaguar ndaj deklaratës së ministres Petrovska, duke e cilësuar atë si “befasuese”.
“Ne u kushtojmë vëmendje deklaratave absolutisht të qarta të udhëheqjes ruse. Rusia kurrë nuk e ka kërcënuar popullin ukrainas askund dhe nuk ka ndërmend të ndërmarrë ndonjë veprim agresiv. Me fjalë të tjera, ne nuk do të sulmojmë, pushtojmë apo godasim Ukrainën. Sa u përket trupave ruse, ato lëvizin nëpër territorin e tyre dhe kanë çdo të drejtë ta bëjnë këtë”, thuhet në reagim.
Presidenti i Kroacisë dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të këtij vendi, Zoran Millanoviq, ka njoftuar se do ta tërheqë ushtrinë kroate, nëse situata në Ukrainë përshkallëzohet. Ushtria kroate ndodhet aktualisht në kufirin rus, me një operacion të NATO-s.
Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, deri më tash, nuk kanë reaguar për tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës.
Mali i Zi, ashtu sikurse Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut, është anëtar i NATO-s.
Rashiti: Konflikti që do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë në Evropë
Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, me bazë në Prishtinë, thotë se përplasjet Rusi-Ukrainë do të ishin konflikti më i madh që pas Luftës së Dytë Botërore, pas krizës së Kubës dhe pas rënies së Murit të Berlinit.
Në fakt, shton ai, ky është konflikti më i madh dhe më i hapur ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Rreshtimin e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përkrah Ukrainës, ai e sheh si veprim të drejtë.
“Një konflikt i tillë do ta ndryshojë tërë dinamikën gjeopolitike globale. Me theks të veçantë, do të ndryshojë arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe të Bashkimit Evropian. Prandaj, është shumë e drejtë që të rreshtohen drejt mbështetjes së vendeve sovrane, pengimit të pushtimit dhe okupimit me dhunë, fushatave kundër tyre, si dhe në mbështetje të një plani – tashmë shumëvjeçar transatlantik – për të ruajtur sigurinë e Evropës”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se situata e tanishme shpërfaq edhe dobësinë e Evropës, e cila, sipas tij, nuk po tregohet e gatshme që të ndërtojë arkitekturë të sigurisë për vetveten dhe SHBA-ja mbetet garantuesi kryesor, jo vetëm i Kosovës dhe shumë vendeve përreth, por i tërë Evropës.
Popov: Perëndimi ia ka tërhequr vërejtjen Serbisë
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, me seli në Serbi, kujton se ky vend nuk është pozicionuar në këtë krizë, por beson se Perëndimi, siç thotë, ia ka bërë me dije presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të jetë i kujdesshëm në këtë situatë.
“Po shohim që Serbia dhe, para së gjithash, presidenti i saj tash janë mjaft të përmbajtur. Madje edhe tash, kur situata në Malin e Zi është destabilizuar, nga Beogradi nuk ka asnjë komentim, në mënyrë që të shmangen indikacionet që Serbia po përzihet atje. Mendoj se tërheqja e vërejtjes ka arritur më herët nga Perëndimi, që të paktën në këtë pikëpamje Serbia të mos i ndihmojë Rusisë dhe të rrijë larg nga të gjitha këto zhvillime”, thotë Popov.
Efektet në Ballkanin Perëndimor
Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës mund të pasohen me dy skenarë, të cilët do të reflektohen edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerëson Naim Rashiti, nga Grupi i Ballkanit për Politika.
Ai thotë se skenari i parë dhe më i butë që mund të pasojë, parasheh që Rusia të krijojë dhe mirëmbajë një regjim pro-rus në Ukrainë, i cili do ta pengonte shtrirjen e politikave të Perëndimit.
Në të njëjtën mënyrë, sipas tij, Rusia do të provojë t’i mirëmbajë edhe elementet pro-ruse, që janë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë skenar, siç shpreh mendimin Rashiti, nuk do të ketë reagim të Perëndimit ndaj situatës së zhvilluar në Ukrainë dhe kjo do ta trimërojë Moskën që të vazhdojë dhe t’i përforcojë skenarët e ngjashëm në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Serbi, në Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi, por edhe në Maqedoninë e Veriut.
Skenari i dytë dhe më i vështirë, shton ai, është pushtimi dhe okupimi rus i Ukrainës.
Në këtë skenar, vlerëson Rashiti, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja pritet të shfaqin dilemën se a do ta ruajnë Ballkanin Perëndimor nga ndikimi rus, a do ta shkëpusin atë nga ky ndikim apo do të ruajnë status quo-në.
“Satelitët e saj [Rusisë], të cilët tashmë janë konsoliduar në Serbi, në Mal të Zi, në Bosnje, por edhe në Maqedoni [të Veriut] do të provojnë të krijojnë situata të mjaftueshme krizash, për t’i hapur edhe një herë çështjet e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Por, në këtë situatë, unë jam i bindur se nëse do të ketë ndonjë reagim apo një shpërthim të tensioneve, Perëndimi – në pamundësi për të bërë diçka shumë të madhe për Ukrainën – së paku do të provojë maksimalisht që t’i parandalojë konfliktet në Ballkanin Perëndimor ose të ruajë status quo-në”, thotë Rashiti.
“Përzierja e gishtërinjve rusë”
Aleksandar Popov, nga Qendra për Rajonin, thotë se reflektimi në Ballkanin Perëndimor i tensioneve ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës ka kohë që ka filluar.
Sipas tij, kjo më së miri shihet në situatat e krijuara në Bosnje e Hercegovinë, ku anëtari serb i presidencës së këtij shteti, Millorad Dodik, ka shtuar aktivitetet për destabilizimin e këtij vendi.
“Muajin e kaluar, këto veprime faktikisht kanë arritur nivelin më të lartë, kur Bosnje e Hercegovina është vënë në pikëpyetje dhe është sjellë në prag të shpërbërjes. Unë mendoj se këtu janë përzier edhe gishtërinjtë rusë, sepse dëshirojnë të shpërqendrojnë vëmendjen e Perëndimit, të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shumë fronte”.
“Ndërkaq, Serbia është përmbajtur nga reagimet për t’u deklaruar lidhur me kërcënimet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës, duke respektuar kinse neutralitetin ushtarak. Njëkohësisht ka shikuar që të mos e fajësojë shumë Rusinë, por në këtë pikë ekziston kundërshtimi më i madh i BE-së, se ajo [Serbia] nuk përcjell politikën e jashtme të BE-së”, thotë Popov.
“Unanimitet” kundër kërcënimeve ruse
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka zhvilluar të hënën një video-konferencë me aleatët evropianë për krizën në Ukrainë, pas së cilës ka thënë se në mesin e tyre ekziston “unanimitet i plotë”.
Mbretëria e Bashkuar e ka paralajmëruar Rusinë për sanksione “të shpejta” dhe “të pashembullta” nëse ndodh inkursioni rus në Ukrainë. Kësaj deklarate i janë bashkuar Shtetet e Bashkuara, Franca Gjermania, Italia, Polonia dhe vende të tjera.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian janë pajtuar në një takim të hënën se “çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës, do të ketë pasoja masive dhe kosto të rëndë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të tyre.
Pentagoni ka njoftuar tashmë se rreth 8,500 trupa amerikane janë në gatishmëri të lartë për dislokim.
Por, kjo do të ndodhë vetëm nëse aleanca ushtarake e NATO-s vendos të aktivizojë forcën e reagimit të shpejtë, “ose nëse zhvillohen situata të tjera” në lidhje me grumbullimin e trupave ruse, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
SHBA-ja nuk ka plane për t’u vendosur në Ukrainë, ka theksuar ai.
NATO dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë duke përgatitur një dokument për të adresuar shqetësimet e Rusisë për sigurinë në Evropë.
Edhe pse mohon synimet për pushtim, Moska e akuzon Kievin se po përgatit sulme në zonat që kontrollojnë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe thotë se vendet e NATO-s po e “pompojnë” Ukrainën me armë.
Rusia po ashtu kërkon që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën në radhët e saj dhe të tërheqë një pjesë të konsiderueshme të forcave nga Evropa Lindore.
Athina zyrtare ka kohë që është duke shqyrtuar ndërrimin e pozicionit karshi pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vizitat e Dendias në Kosovë kanë qenë një paralajmërim se Greqia po e shqyrton njohje e pavarësisë. Pas gjithë këtyre zhvillimeve, sot në Athinë po qëndron kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, e cila do të takohet me kryediplomatin grek, Nikos Dendias.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla po qëndron në Athinë për vizitë zyrtare. Në Greqi, kryediplomatja e Kosovës do të takohet me homologun e saj Nikos Dendias.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra për media e MPJ-së, ku thuhet se “fokus i kësaj vizite është thellimi i marrëdhënieve bilaterale mes të dy shteteve”, raporton Express.
“Ministrja Gërvalla gjatë qëndrimit në Greqi do të zhvillojë takime edhe me diplomatë dhe me komunitetin e biznesit për të inkurajuar avancimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të promovuar ofertën kosovare për investitorët e huaj”, thekson njoftimi.
“Ministrja Gërvalla gjithashtu do të ketë në fokus gjatë takimeve të saja forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e arsimit, kulturës, por edhe në fusha të tjera që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, përfundon komunikata./Express/
Fjalimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në akademinë përkujtimore me rastin e 40 vjetorit të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca,
Të nderuara familje Gërvalla dhe Zeka,
E dashura Donikë,
Të nderuar anëtarë të Kabinetit Qeveritar dhe deputetë të Kuvendit,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Si legal ashtu edhe ilegal, si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë Jusufi, Kadriu e Bardhoshi, nuk e ndalën veprimtarinë kombëtare e shoqërore për bashkim organizatash, për çlirim vendi, për liri populli, për drejtësi e mirëqenie e përparim të të gjithëve. Kudo dhe çdoherë kritikuan e kundërshtuan diskriminimin e shfrytëzimin, mobilizuan qytetarët dhe bashkatdhetarët, për përpjekje të përbashkëta për punë e angazhim e organizim për liri.
Ata i aktivizonin dhe i bashkonin punëtorët, studentët, artistët, burrat e gratë, të rinjtë e të moshuarit, sepse ata besonin në popull, besonin në popullin e tyre nga i cili vinin për të mos u shkëputur kurrë prej tij.
Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe puna e përditshme e tyre. E përditshmja e përjetshme që e thur historinë.
Aftësia e njerëzve që e përbëjnë historinë qëndron në faktin se ata e qartësojnë para nesh nivelin moral të epokës kur jetuan, të sundimit dhe të dhunës, të pushtimit dhe të lirisë, të korrupsionit të strukturave por edhe të mundësive të krijimit dhe të rezistencës.
Ky vit shënon 40 vjetorin e atentatit të organizuar nga shërbimi sekret jugosllav – UDB afër Shtutgartit në Gjermani, në cilin u vranë udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, heronjtë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Zbatuesit e atentatit – vrasësit vazhdojnë të mbeten të pazbuluar edhe sot, megjithëse organizatori është bërë i njohur që nga fillimi – UDB-ja gjakatare. Kur përkujtojmë pra këta tre dëshmorë, ne bëhemi të ndërgjegjshëm që strukturat vrastare e të pandëshkuara nuk kanë asnjë arsye të pushojnë së funksionuari. Po ashtu mendësitë e dhunës dhe vrasjes nuk kanë pse të pushojnë së vepruari.
Vrasja e tre heronjve të popullit Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, ishte vrasja shumë e rëndë e ndodhur në truallin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, atentat politik i organizuar nga shteti jugosllav jashtë territorit të tij mu në gji të ndërgjegjes evropiane. Këta tre heronjtë përbënin shtyllën kurrizore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të organizuar jashtë Republikës së Shqipërisë. Shfaqej haptas para kësaj ndërgjegje se shteti jugosllav udhëhiqej kryesisht nga UDB-ja serbe.
UDB-ja, thelbi i Jugosllavisë, kishte kuptuar që shqiptarët po mendonin si shtet: demonstratat e studentëve në vitin 1981 të shndërruara në kryengritje gjithëpopullore në të gjitha trojet e banuara me shqiptarë në ish Jugosllavi do të krijonin një potencial të ri të lirisë.
Bashkimi i të gjitha grupeve ilegale politike me karakter kombëtar, në Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare në ish Jugosllavi, në një Lëvizje të vetme kombëtare me potencial të jashtëzakonshëm politik, profesional e ekonomik, të panjohur deri më atëherë, vinte prej një fryme të re të Lëvizjes Kombëtare. Bashkimi i inteligjencës dhe rezistencës, ky është burimi i frikës së regjimit.
Shtrirja e organizimit të demonstratave me mërgimtarët në botën e jashtme demokratike, kryesisht në botën perëndimore, njoftimi i saj me shtypjen e shqiptarëve në Jugosllavinë kinse “liberale” rrëzonte përrallën e demokracisë vetëqeverisëse dhe të bashkim-vëllazërimit midis popujve. Në këtë rast, mërgata shqiptare, burim i sigurtë i deriatëhershëm devizash për ekonominë jugosllave, po shndërrohej në një forcë të rrezikshme antijugosllave. Me potencialin politik, ekonomik e intelektual ajo do të garantonte edhe organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999.
Kjo është linja që na bashkon mendimin kur mblidhemi të përkujtojmë këta heronj. Ata duhet të eliminoheshin prej UDB-së, qoftë edhe në zemër të Evropës, sepse ata nuk po thërrisnin thjeshtë për Republikë, por po shtjellonin linjat e mundësimit të saj. Ata po vepronin në perspektivën e organizimit total të shtetndërtimit të shqiptarëve: shtetndërtimi është aftësia e shtjellimit të të gjitha përmasave të lirisë.
Se UDB-ja jugosllave e kishte identifikuar këtë bashkim të potencialit patriotik shqiptar në një Lëvizje Kombëtare Shqiptare si rrezikun më të madh për të pas Luftës së Dytë Botërore, përveç burgosjes masive të mijëra grave dhe burrave, vajzave dhe djemve patriotë, e dëshmojnë edhe vrasjet e shumta të patriotëve shqiptarë, pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të cilët kishin përqafuar këtë frymë të bashkimit dhe ishin nismëtarë të një organizimi politiko-ushtarak, si Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu etj.
Vrasja e heronjve Jusufit, Kadriut dhe Bardhoshit ishte grushti më i rëndë kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që në bërthamën e krijimit, që në nismën e bashkimit. Mirëpo fryma e mbjellur e bashkimit politik e patriotik që e kishin farkuar Jusufi, Kadriu e Bardhoshi që më 1982, ka përcjellur të gjitha organizimet kryesore politike e ushtarake të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, deri në Luftën e fundit Çlirimtare të Kosovës të udhëhequr nga UCK-ja.
Më lejoni të nderuar pjesëmarrës t’ju shpreh edhe një ndjesi tjetër. Besoj se ne këtu e ndajmë të gjithë idenë se shtendërtimi është çlirimi i plotë. Pra, është fjala për idenë e shtetndërtimit, ose më mirë për virtytin e shtetndërtimit që lind në çdonjërin prej nesh. Virtyti i shtetndërtimit është ajo marrëdhënie që duhet punuar mes vektorit shoqëror e civil dhe atij kombëtar e politik. Në një përkujtim heroi, ne nuk nderojmë momentin e vdekjes si çlirimtar, por atë të jetës si shtetndërtues çlirimtar.
Në çdo hap të historisë sonë na është dashur të bëjmë tri punë njëherësh. Të çlirohemi me çmimin e sakrificës, të ndërtojmë me çmimin e sakrificës, të krijojmë, po përsëri, me çmimin e sakrificës.
Andaj, edhe kur mblidhemi në përkujtimin e një personaliteti, na duhet veç të tjerash të kuptojmë se si janë ndërthurur çlirimi, ndërtimi dhe krijimi në jetën e personalitetit që përkujtojmë. E kësaj here jemi mbledhur të përkujtojmë dikë që na i ka lënë tërë gjurmët.
Dhe jo vetëm për vete. Kur përkujtojmë heronjtë, jemi të detyruar të krahasojmë kohët tona me kohët e pushtimit. Këtu jemi për të përkujtuar Jusuf Gërvallën, shokun e tij Kadri Zeka, vëllanë e tij Bardhosh Gërvalla. Fisi dhe shoqëria politike janë në këtë treshe heronjsh. Por thellësisht janë të ngërthyer te Jusufi civilja dhe politikja.
Ja momenti i parë i Jusufit. Ka organizuar më shumë se 150 intervista mbi emra, ngjarje dhe tema… mbi çfarë? Mbi artin. Nuk besoj se në kushtet e sotme të lirisë ne kemi gazetarë të artit që të kenë realizuar kaq intervista mbi temën e krijimtarisë. Kështu që, me plot gojën mund të them se Jusuf Gërvalla, vetëm për hir të peizazhit që na ofron, është shtetndërtues magjik. Ai nuk militon për lirinë, po për lirinë e kualifikuar.
Gjurmues i madh i temave dhe i ngjarjeve, ai kthehet po aty në kronikan të kohës së bërjeve. Kur nis dhe e lexon publicistikën e tij, e ke mundësinë të kthehesh në të jetuarit e ditëve dhe të fakteve. Të shohësh zanafilla dhe rimarrje, talente në lindje dhe stile në ardhje. Nga ngjarje minimale tek ajo pompoze, nga tema fëminore te ajo e përkufizimit të raportit mes frymëzimit e teknikës në krijimtari; nga tradita te roli i transformimeve teknologjike të komunikimit etj. Ja pra ku përplotësohet rrafshi sociologjik i qytetit. Dhe ne kuptojmë se edhe në kushtet e pushtimit e kemi patur për dekada skenën e madhe të qytetit si skenën e ekzistencës plot cilësi. Falë Jusufit ne zbulojmë se njeriut nuk i humbet kurrë krejtësisht liria. Kjo është perspektiva e dytë e Jusuf Gërvallës si shtetndërtues. Diçka prej rentabilitetit shoqëror të heq pengun e boshit madje edhe në kushtet e pushtimit.
Por, një shtetndërtues e ndjen se nuk mund të jetë vetëm mikrofoni i drejtuar mbi skenën, por edhe folës i saj, qoftë edhe për pak, qoftë edhe rrëmbyeshëm, qoftë edhe larmishëm. Muzikë, prozë, poezi. Jeta duhet mbushur vertikalisht në kronikë, horizontalisht në krijim. Gazetar dhe krijues. Këto dy dimensione të punës, këto dy direktiva të shtetndërtimit, Jusufi i kryen me një lehtësi të shkëlqyer. Heroi ynë na zbulon se ndjesinë e shtetndërtimit e kemi patur që prej zanafillës, por nuk kemi ditur ta vëmë në dukje, ta gjallojmë e ta lartësojmë në realizimet e tona të mëpasme.
Dhe këtë e mbërrin më së miri në poezinë e tij. Duke iu radhitur poetikës së fshatit, ai e përkryen peizazhin e trashëgimisë. Sepse, vetëm në dellin e trashëgimisë, civilja mund të bëhet politike. Këtu është përmasa shtetndërtuese e poetit. Poeti e thotë ashtu kalimthi natyrën e skajshme të së vërtetës. Ai shkruan për gjyshin, për vëllanë, për shokun. Në ato 39 vitet e veta, pa reshtur mes krijimit dhe kronikës, mes letërsisë e muzikës, nuk mund të humbte kohë. E kishte mësuar prej gjyshit ritmin pa kthim të jetës së tij dhe shokëve të tij. Gjyshi, na thotë Jusufi:
“Mes duarsh tek e vë orën ngadalë, e ngre, dhe qetë
A e dinë vallë të gjithë se njeriu ka orën e vet.”
Të nderuar pjesëmarrës në këtë përkujtim,
Vrasja nuk përbën fundin, por hapjen e kuptimit. Kur e lexon Jusufin, në intervistë, në artikull, publicistikë, në prozë, në poezi, kur e dëgjon në muzikë, kupton diçka. Ritmin e kishte në gjak, tempon e kishte në deje. Kronika ka ritmin periodik, publicistika ka ritmin e problemit, poezia ka ritmin e vargut, muzika është tempo në varg dhe në masë. Dhe këto njeriu duhet t’i përfshijë në ritmin e masës së jetës së vet. Jusufi nuk ndaloi, e ndalën.
Dhe kur një individ mbart në vete një kolektiv çlirimi, ndërtimi dhe krijimi, atëherë vetëm dhuna dhe terrori i pushtimit duhet ta ndalë. Nga ana e vet, shtetndërtimi duhet të kryhet me ritëm brenda pushtimit. Kjo është metafizika dhe etika e Jusuf Gërvallës. Brenda pushtimit duhet të ngjizet ritmi i të gjallës, po e citoj një varg tjetër të tij:
“Kahdo ka tokë nën këmbë, po askund qiell mbi kokë
Rruga prej shtëpisë sime deri te shtrati më qe sa një botë”.
Sikur ta kishim vetëm për pak kthjelltësinë e lirisë nën pushtim do ta përthithnim devizën e poetit: mes gjyshit dhe qytetit evropian, shtrihet e tërë bota. Por këtë rrugë të njohjes, të kualifikimit të veprimtarive, Jusufi e ka bërë brenda kohës dhe me tempon e çdo dite. Cilido që ngrihet me përgjegjësinë eprore të bëjë brenda ditës një botë, nuk është vetëm poet, por shtetndërtues.
Por le ta themi më hapur përmasën shtendërtuese të treshes. Tandemi i shokut dhe tandemi i vëllait. Kjo është treshja më e fortë, nyja të cilën do të vijë e do ta godasë për vdekje pushtuesi. Por kur krijohen tandemet, e zorshme është për pushtuesin të vrasë jehonën. Kur krijohen treshet e miqve të lirisë, e pamundur është të ndalen hovet. “Tre ranë me mijëra u ngritën” ishte titulli i asaj kohe.
Ne e shohim ende atë skenën të shkruar prej penës së Kadaresë nën rrëfimin e Suzanës. Mbi atë bardhësi mes natës, rreth veturës që mbante tre shokët, niste e grumbullohej familja. Besohej dhe betohej filli i një shtetndërtimi. Dhe ja: Donika është këtu, vajza e tij, ministrja juaj, zëvendëskryeministrja ime. Shtendërtimi ka ritmin e vet, ka tempon e vet. E mendoj treshen Jusuf, Kadri e Bardhosh, si treshen dëshmore për lirinë e shtetndërtimit.
Çlirimtarët janë shtetndërtues dhe shtetndërtuesit në çdo epokë janë çlirimtarë. Sepse lufta për liri është mësimi dhe punimi më i shpejtë i shtetndërtimit. Në çerek shekulli të luftës së Gjon Kastriot Skënderbeut ne kemi shënimet e para të shtetndërtimit. Na duhet t’i popullarizojmë kronikat e mundshme. Sot është 17 janar, na ndajnë më shumë se pesë shekuj prej Skënderbeut. Na ndajnë 4 dekada prej vdekjes së tre shokëve, aq sa jetuan edhe ata. Shtetndërtuesit janë gjithnjë aty, një citat tjetër:
Me kokën time e krijoj,
me duart e mia,
dhe eci nëpër planet.
Natën e mirë:
mua më duhet të shkoj aty prej nga mund t’ju gjej.
Jusuf Gërvalla shoku i Kadri Zekës dhe vëllai i Bardhoshit.
Faleminderit!
Për herë të parë nga periudha e pasluftës e vitit 1999 në Kosovë, ndërmarrja shoqërore “Brezovica” ka filluar punën nën menaxhimin e autoriteteve të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëhet e ditur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Bordi i Drejtorëve i AKP-së më 13 janar të këtij viti ka emëruar Bordin e ri të Përkohshëm Menaxhues për Brezovicën, e cila ndodhet në Komunën e Shtërpcës, në përbërje prej 6 anëtarëve.
Pas një mbledhjeje të cilën e ka mbajtur Menaxhmenti i AKP-së me Bordin e ri të Përkohshëm të Drejtorëve të Ndërmarrjes Brezovica më 14 janar, është vendosur kjo ndërmarrje të funksionojë tërësisht në bazë të ligjeve të Kosovës.
“Në këtë mbledhje, është biseduar për mbarëvajtjen e punëve në Brezovicë dhe është biseduar gjerësisht për obligimet e Bordit të Brezovicës për t’i përmbushur detyrat e tyre ligjore për funksionimin e tërësishëm të Brezovicës në bazë të ligjeve të Kosovës, duke përfshirë: Instalimin e arkave fiskale; Raportimin financiar e operativ në AKP; Deklarimin e rregullt të tatimeve te ATK (Administrata Tatimore e Kosovës) si dhe zbatimin e ligjeve të Kosovës”, shkruan në njoftimin e AKP-së.
Në këtë takim, bëhet e ditur se menaxhmenti i AKP-së dhe bordi i ndërmarrjes “Brezovica” u pajtuan që të fillohet nga sot sezoni i skijimit dhe të nisin aktivitetet e kësaj ndërmarrjeje “me ç ‘rast i gjithë operimi i ndërmarrjes do të bëhet sipas infrastrukturës ligjore të Kosovës”.
“Të gjithë anëtarët e Bordit te Brezovicës siguruan për bashkëpunimin e tyre, punën e mirë dhe respektimin e udhëzimeve të AKP-së dhe dispozitave ligjore të ligjeve të Kosovës”, shkruan tutje në njoftim.
Po kështu, për qytetarët AKP njoftoi se skiliftat janë lëshuar në operim që nga e diela e 16 janarit dhe ftoi qytetarët që për çdo shërbim që pranojnë në këtë ndërmarrje të kërkojnë kuponin fiskal.
Qendra turistike “Brezovica”, e cila është një atraksion turistik dimëror në Kosovë, që nga paslufta (1999) është menaxhuar nga strukturat paralele serbe dhe shumica e shërbimeve janë kryer pa ndonjë kupon fiskal, duke bërë që kjo ndërmarrje të futet në obligime të thella ndaj Administratës Tatimore.
Të hyrat e vetme të kësaj ndërmarrjeje nga të cilat ka përfituar shteti kosovar kanë qenë ato të parkingut për automjete, meqë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor vite më parë vendosi laurë në hyrje të kësaj qendre.
Edhe nga Komuna e Shtërpcës, ku pothuajse 50 për qind e banorëve i përkasin komunitetit serb, vazhdimisht kanë deklaruar se komuna nuk e ka asnjë përfitim nga qendra turistike në Brezovicë.
Në një marshim të mbajtur në qytetin e Prizrenit, është bërë thirrje për ruajtjen e integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe gjendjes jokonfliktuale mes popujve, raporton Anadolu Agency (AA).
Afro njëqind persona pjesëmarrës në marshin e organizuar nga komuniteti “NAŠA Inicijativa” në sheshin historik të Shatërvanit të Prizrenit, përveç flamujve të Bosnjë dhe Hercegovinës, kishte edhe pankarta me mbishkrimet “Kosova qëndron në krah të Bosnjë dhe Hercegovinës”, “Ruajeni paqen dhe tolerancën” dhe “Për sa kohë që janë boshnjakët, edhe Bosnja do të jetë”.
Në komunikatën për media të lexuar nga organizatorët pas marshit, u theksua se thirrjet për ndarjen e Bosnjës dhe Hercegovinës janë të papranueshme.
U tha se marshimi u organizua për të gjithë ata që jetojnë në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe që kontribuojnë për paqen në vend, pa dallim feje apo race.
“Në emër të qytetit multietnik dhe multikulturor të Prizrenit, dhe në të vërtetë në emër të të gjithë boshnjakëve, shqiptarëve, turqve, romëve dhe qytetarëve të tjerë të Prizrenit, duam të bëjmë të qartë se ne qëndrojmë në krah të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nuk do të pranojmë kurrë rihartimin e kufijve. Kanë ikur ditët kur mund t’u imponohet çdo gjë boshnjakëve. Ne jemi për bashkëjetesë, mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me këdo që na respekton dhe na sheh si të barabartë”, u tha në komunikatë.
Marshimi, i cili zgjati rreth një orë, përfundoi pa incidente.
Ndryshe, në Banja Lukë u festua “9 Janari – Dita e Republikës Sërpska” pavarësisht antikushtetueshmërisë.
Në festime morën pjesë 2.700 persona, duke përfshirë figura si anëtari serb i Këshillit Presidencial të BeH-së, Milorad Dodik, kryeministrja e Republikës Sërpska, Zhelka Cvijanoviq, 800 pjesëtarë të sigurisë së Republikës Sërpska, kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq, ambasadori rus Igor Kalbuhov si dhe deputetë francezë të ekstremit të djathtë.
Në shumë qytete të Bosnjë dhe Hercegovinës, veçanërisht në Gacko, Foça, Prijedor, Brçko dhe Janja, pati provokime, duke përfshirë ofendime ndaj boshnjakëve dhe joserbëve.
Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës e shpalli “jokushtetuese” “Ditën e Republikës Sërpska” në vitin 2015, me kërkesë të Bakir Izetbegoviqit, anëtarit të atëhershëm të Këshillit Presidencial.
Pas vendimit, Kuvendi Popullor i Republikës Sërpska mbajti një referendum më 25 shtator 2016 për njohjen e 9 janarit si Dita e Republikës Srpska, por Gjykata Kushtetuese e Bosnjë dhe Hercegovinës nuk e njohu këtë referendum dhe ndaloi veprimet për të festuar këtë ditë.
Pas ngjarjeve, ministrja e Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, njoftoi se notë diplomatike i është dorëzur Rusisë, Kinës dhe Serbisë, të cilat dërguan përfaqësues në programin e 9 janarit të kremtuar ilegalisht në Banja Lukë.