VOAL

VOAL

Morën pjesë rreth gjysmë milioni shqiptarë, 32 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës

Sot bëhen 32 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç‘rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.

Aksioni për pajtimin e familjeve shqiptare në hasmëri kishte nisur nga disa studentë të rajonit të Dukagjinit, ish-të burgosur politikë, më 2 shkurt 1990 në Lumëbardhë të Deçanit.

Ky aksion u shndërrua në një lëvizje për pajtimin e gjaqeve dhe falë punës së madhe të veprimtarëve në krye me Anton Çettën kjo lëvizje gjithëpopullore arriti të pajtojë mbi një mijë gjaqe e ngatërresa ndër-shqiptare. /KosovaPress/

Ministrja Donika Gërvalla i njofton afaristët gjermanë për mundësitë e shumta që ofron Kosova për investime të huaja

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, priti sot një grup prej më shumë se 50 afaristësh gjermanë, të cilët janë duke qëndruar për një vizitë 3-ditore në Kosovë.
Në takim me afaristët gjermanë, ministrja Gërvalla i njoftoi ata lidhur me potencialin e madh të vendit dhe vullnetin e Qeverisë së Kosovës për t’i përkrahur e për t’i garantuar investimet e huaja në Kosovë.
Investorët e huaj u informuan për klimën e favorshme të investimeve, politikën fiskale dhe mbrojtjen ligjore për investimet e huaja.
Zonja Gërvalla vuri në pah veçanërisht njohuritë e gjuhës angleze dhe asaj gjermane, shkathtësitë e larta dhe zellin e madh për punë të qytetarëve të Kosovës.
Gjithashtu, investorët gjermanë u njoftuan për normat e ulëta tatimore që aplikohen në Kosovë, për sistemin e sigurt bankar, qasjen e lehtë dhe të shpejtë në tregjet rajonale dhe evropiane, shmangien e taksimit të dyfishtë dhe lehtësitë e tjera që ofrohen për investimet e huaja.
Gjatë diskutimit me afaristët gjermanë, u identifikuan disa sektorë, të cilët ofrojnë mundësi më të mëdha për investime të huaja, si: sektori i teknologjisë informatike, i përpunimit të drurit dhe metalit, minierave dhe mineraleve, përpunimit të ushqimit, energjisë së ripërtëritshme, etj.
Në takim u vu në pah edhe legjislacioni për investime të huaja, i cili është i harmonizuar me ligjet e BE-së, si dhe avantazhet dhe garancitë që ofrohen për investorët e huaj përmes Ligjit për
Investime të Huaja dhe Ligjit për Investime Strategjike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për vitin 2022, ka përcaktuar prioritet të saj fuqizimin e diplomacisë ekonomike në misionet diplomatike dhe konsullore, me qëllim që investitorët e huaj potencialë të njihen me mundësitë e mëdha të investimeve në Kosovë.

U vendos dje, ja ku do të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit

Teatri i Operës dhe Baletit pritet të ndërtohet në hapësirën prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, raporton Express.

Për ndarjen e kësaj hapësire ka vendosur dje Kuvendi Komunal i Prishtinës, me 37 vota pro, o kundër dhe asnjë abstenim.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo hapësirë do të shërbejë edhe si platformë multifunksionale.

“Kemi pasur diskutime brenda 2.2 hektarëve sepse është një zonë shumë e madhe, kjo ka me pasë edhe funksion multifunksional që qendra eksibite të jetë më e madhja në rajon. Po ashtu edhe një zonë komerciale që ndërlidhet me baletin e opera, kjo hapësira që ndërlidh po ashtu Arbërinë me qendrën që krijon mundësi të shlirtë të qytetarëve pa pasur nevojë me hypë në makina. Pra ky është aspekti multifunksional dhe diskutimet me Ministrinë janë të tilla”, tha Rama.

Ndarja e kësaj hapësire vjen një vit pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, hoqi dorë nga ndërtimi i këtij objekti afër Fakultetit Teknik.

Në vitin 2009 ishte vënë gurthemeli, por, pas pak kohe gjithçka stagnoi dhe mbeti një gropë e madhe te lokacioni i caktuar për ndërtim, e cila u mbyll më pas nga Komuna e Prishtinës.

Heshtje për sulmet ndaj policisë në veri

Doruntina Baliu

Autoritetet e Kosovës, deri tani, nuk kanë njoftuar nëse kanë identifikuar ndonjë të dyshuar për sulmet e njëpasnjëshme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

E marta e 26 prillit ka shënuar edhe një sulm ndaj policisë – të gjashtin të tillë që nga 13 prilli.

Sulmi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit në Zubin Potok – komunë me shumicë serbe – dhe dyshohet se është kryer me armë zjarri. Sipas policisë, përveç dëmeve materiale në një automjet, nuk ka pasur zyrtarë të lënduar.

Prokuroria e Kosovës, tash e disa ditë, nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për hetimet që po zhvillon për sulmet në veri – përfshirë atë të së martës.

Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka njoftuar publikun për katër sulme ndaj Policisë së Kosovës, që kanë filluar nga 13 prilli. Ndërkaq, policia ka njoftuar për sulmin e pestë më 16 prill.

Sveçla ka thënë se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.

Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.

Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë parë të martën rreth zonës kufitare në Zubin Potok.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka kryer edhe një bastisje në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, por nuk ka treguar nëse ky aksion ka pasur të bëjë me sulmet ndaj policisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se në këtë operacion nuk ka pasur të arrestuar.

As Ministria e Brendshme, as Qeveria e Kosovës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it për situatën e sigurisë në veri, pas sulmeve të njëpasnjëshme.

Paralajmërime për “mosbindje civile” në veri

Por, reagime ka pasur nga Lista Serbe – partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë – dhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Drejtori i kësaj të fundit, Petar Petkoviq, ka thënë se “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.

Sipas Listës Serbe, tendencat janë që këto sulme t’iu mveshen serbëve.

“Ky incident [sulmi i 26 prillit] ka për qëllim destabilizimin e situatës, por është edhe tentim për t’i paraqitur serbët si banditë – gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në një komunikatë të Listës Serbe.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media të mbajtur më 25 prill, ka thënë se ka informata se Prokuroria Speciale e Kosovës ka iniciuar procedura ndaj “qytetarëve serbë, biznesmenëve, kryetarëve të komunave, deputetëve e përfaqësuesve politikë” për atë që Kosova pretendon se “është sulm ndaj rendit kushtetues të Kosovës”.

“Arsyeja është protesta kundër veprimeve të njëanshme të Prishtinës, vitin e kaluar. Persekutimi i motivuar i popullit tonë. Sipas informacioneve që kemi, kjo është një procedurë ndaj më shumë se 70 qytetarëve tanë”, ka thënë Rakiq, duke mos e specifikuar se për cilën protestë e ka fjalën.

Serbët kanë protestuar në tetor të vitit të kaluar, pas një aksioni anti-kontrabandë, të zhvilluar nga Policia e Kosovës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Policia e Kosovës ka thënë se në atë aksion janë sekuestruar “mallra të kontrabanduara, në vlerë prej qindra mijëra eurosh”, dhe ka mbyllur disa rrugë që janë përdorur për kontrabandë.

Nëse Prishtina zyrtare fillon me “lëvizje të njëanshme, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshijnë mosbindje totale civile, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve tanë”, ka thënë po ashtu Rakiq.

Ai ka bërë të ditur se Lista Serbe është takuar të hënën me përfaqësuesit e shteteve të Qunt-it – Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia dhe Franca – nga të cilët ka kërkuar, siç ka thënë, “të pengojnë Prishtinën në përpjekjet e saj për një kaos në veri të Kosovës”.

Po në të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe se ne këtë takim është diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe situatën politike në rajon, por nuk janë dhënë më shumë detaje.

Misioni i NATO-s në Kosovë – KFOR, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë dhe Zyra e BE-së i kanë dënuar sulmet kundër Policisë së Kosovës, duke kërkuar që të mos bëhen veprime që mund t’i përshkallëzojnë tensionet në atë zonë.

Këto institucione ende nuk kanë reaguar për sulmin e së martës.

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, janë të banuara me shumicë serbe.

Ky rajon, ndër vite, ka qenë vatër e trazirave.

Të fundit të mëdha kanë ndodhur në shtator të vitit të kaluar, pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti ndaj Serbisë, për çështjen e targave të automjeteve.

Protestat dhe bllokadat në rrugë, të shkaktuara nga disa serbë lokalë, kanë zgjatur disa javë dhe kanë përfunduar pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për targa.

Kërkohet kushtëzimi i Serbisë për të ofruar të dhëna për të pagjeturit

RFE/RL

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, Andin Hoti, ka kërkuar të martën, 26 prill, që bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin dhe të kushtëzojë Serbinë për të ofruar informacione për personat e pagjetur.

“Kërkesa jonë e parë është kushtëzimi ndaj Serbisë. Kërkesa jonë e dytë ka qenë garancia e Bashkimit Evropian që të ketë një afat kohor kur Serbia detyrohet të japë informacionet për personat e zhdukur, dhe kërkesa e tretë është për hapjen e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë, të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Hoti, teksa ka kryer homazhe te memoriali në Prishtinë kushtuar të pagjeturve.

Dita e të Pagjeturve në Kosovë shënohet më 27 prill.

Ai ka thënë se së shpejti në Serbi pritet të fillojnë gërmimet në një tjetër lokacion.

Sipas Hotit, delegacioni i Kosovës u ka kërkuar shteteve mike tash e një vit për të siguruar imazhet satelitore përmes Kryqit të Kuq ndërkombëtar.

Megjithatë, Hoti ka thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve që të merren me këtë proces, mirëpo ka thënë se e di që “kjo çështje nuk do të kryhet shpejt”.

Kosova ka dalë nga lufta e vitit 1998-99, me mbi 13,000 persona të vrarë, mbi 800,000 të zhvendosur dhe mbi 5,000 të zhdukur.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët janë bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet.

Deri më tani, nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave.

Mbi 23 vjet pas luftës, të zhdukur vazhdojnë të jenë mbi 1,600 njerëz.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian ka thënë më 25 prill, se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë afër arritjes së marrëveshjes për të pagjeturit, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel.

“Sa i përket çështjes së të pagjeturve, praktikisht ka mbetur të zgjidhen vetëm dy fjalë, pra një gjysmë fjalie, që të kemi marrëveshjen”, ka thënë ky burim.

Në BE thonë se është e domosdoshme që të ketë shpejt marrëveshje, në mënyrë që të krijohen kushtet për takimin e nivel të lartë politik mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ka nisur më 2011.

Donfried: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi pengon synimet ruse për destabilizimin e Ballkanit

VOA

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha të hënën në Prishtinë se Kosova duhet të marrë vendin që i takon në strukturat euro-atlantike, ndërsa bëri thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si rrugë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.

Zonja Donfried po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite pesëditëshe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Unë jam këtu në një kohë sfiduese, një moment përcaktues për Evropën dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti. Lufta e paprovokuar, e pajustifikuar dhe brutale e Rusisë kundër Ukrainës ka treguar se sa e rëndësishme dhe urgjente është puna e vazhdueshme për t’u siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë reformat e nevojshme për konsolidimin e tyre demokratik dhe për integrimin e tyre në institucionet evropiane dhe euroatlantike. E fituar me mund, ne nuk duhet ta marrim paqen dhe përparimin e Kosovës si të mirëqenë. Të gjithë ne duhet të luftojmë çdo ditë që të punojmë për qytetarët. Kjo nënkupton avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë edhe marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë”, tha ajo.

Ndihmës sekretarja Donfried, e cila takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, tha se “satus quo-ja” është e paqëndrueshme dhe jo vetëm që pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, por është përfitim për Kremlinin.

Rusia dëshiron të rrënojë unitetin dhe konsolidimin demokratik në Ballkanin Perëndimor, duke u siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund dhe nuk do të integroheni në institucionet evropiane dhe euroatlantike. (Rusia) beson se një Ballkan më i fortë, më i begatë dhe demokratik, është një kërcënim për ndikimin e saj. Marrëdhëniet më të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë aftësinë e Rusisë për të nxitur ndarje dhe frikë. Mënyra më e mirë për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjesht, Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, tha ajo.

Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur shqetësime për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.

E di që shumë në Kosovë janë të brengosur për sigurinë e Kosovës në këtë kohë të pasigurt. Unë dua t’ju siguroj se angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe ai i aleatëve mbetet i hekurt. KFOR-i, misioni më i madh i NATO-s, është stacioni më i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Kosovës”, tha ajo.

Ndihmës sekretarja amerikane vlerësoi udhëheqjen e Kosovës për strehimin e refugjatëve afganë dhe gatishmërinë port të strehuar edhe refugjatë nga Ukraina.

Kosova i ka treguar botës se kur njerëzit kanë nevojë, dyert e saj janë të hapura”, tha zonja Donfried, e cila në një konferencë me gazetarë foli edhe për ish-Sekretaren amerikane të shtetit, Madeline Albright, që vdiq më 23 mars.

Kohëve të fundit kemi humbur një prej avokateve më të forta amerikane të pavarësisë e sovranitetit të Kosovës, zonjën Madeline Albright. Ajo ishte tepër e përkushtuar për Kosovën dhe të ardhmen e Kosovës”, tha ajo duke nënvizuar se përkushtimi i zonjës Albright ndaj Kosovës, vazhdon të jetë i fuqishëm në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Donfried po qëndron në Prishtinë disa ditë pas vizitës se tre senatorëve amerikanë të cilët u dhanë mbështetje aspiratave të Kosovës për integrime euro-atlantike.

Donfried dhe Osmani diskutojnë nevojën e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

RFE/RL

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, ka përsëritur të hënën, 25 prill, se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën në rrugën drejt institucioneve evropiane dhe euro-atlantike.

Ajo i ka bërë këto komente pas takimit që ka zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Është shumë e rëndësishme dhe urgjente të punojmë për të siguruar që Kosova dhe fqinjët e saj të vazhdojnë të bëjnë reformat e domosdoshme për konsolidimin demokratik dhe integrimin e tyre në institucionet evropiane dhe euro-atlantike”.

Donfried ka përmendur po ashtu se procesi i dialogut me Serbinë – që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian – duhet ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Edhe presidentja Osmani ka thënë se me zyrtaren amerikane ka biseduar për urgjencën dhe nevojën për përparim në dialog, ndonëse ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë nuk duhet të përcaktohen nga dialogu me Serbinë.

“Ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi që në qendër ka njohje reciproke, dhe nga ajo do të përfitojnë qytetarët tanë”.

Osmani po ashtu ka thënë se gjatë diskutimeve ka përmendur
“zhgënjimin për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel dhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga SHBA”.

Donfried ka thënë se viziton Ballkanin Perëndimor në një kohë sfiduese, duke iu referuar luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.

Mes tjerash, zyrtarja amerikane ka thënë se dëshiron të sigurojë secilin qytetar të Kosovës – që mund të jetë i shqetësuar për situatën e sigurisë – se SHBA vazhdon të mbetet aleate e fuqishme dhe ka përmendur KFOR-in (misionin paqeruajtës të NATO-s), si manifestim i përkushtimit amerikan për sigurinë në Kosovë.

Përveç fushës së sigurisë, ajo ka përmendur përkushtimin e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën edhe në fusha tjera.

“Është e qartë për mua se resursi kryesor i Kosovës është po ashtu diçka që duhet të mbrohet, fuqia juaj e re punëtore dhe inovative. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë me ju derisa zgjeroni ekonominë tuaj, zgjeroni integrimin rajonal dhe ndërtoni një sektor të energjisë të fuqishëm dhe divers”.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor nga 25 deri më 29 prill.

Pas Kosovës, ajo viziton Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Javën e kaluar, Kosovën e ka vizituar edhe një delegacion senatorësh amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis.

Ata kanë thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.

Kosovë- Njohuritë e nxënësve i nënshtrohen përsëri testit ndërkombëtar PISA

Nadie Ahmeti

Njohuritë e nxënësve kosovarë do t’i nënshtrohen edhe njëherë testit ndërkombëtar PISA.

Shtatë mijë nxënës, nga 15 vjeç, të përzgjedhur nga 237 shkolla të Kosovës, do të testohen në ditë të caktuara nga 25 prilli deri më 20 maj.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.

Këtë herë thuhet se po bëhen përgatitje më intensive, me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar këtë javë Shkollën Fillore “Dardania” në Prishtinë, ku ka takuar Melik Fetahun dhe Medina Shalën – të dy nxënës të përzgjedhur për testin PISA.

Të dy ata, pasi mbajtën orë shtesë në lëndën e matematikës, thanë se presin që ta kalojnë me sukses testin.

Nxënësja Medina Shala.

Nxënësja Medina Shala.

“Po mundohemi dhe po angazhohemi së bashku me arsimtarë që të kemi rezultate të mira. Shpresoj t’ia dalim mirë”, tha Medina.

Nga shkolla “Dardania”, PISA-s do t’i nënshtrohen 19 nxënës. Koordinatorja e grupit të nxënëseve pjesëmarrës, Arlinda Idrizaj- Zeqiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se mësimdhënësit janë përkushtuar për përgatitjen sa më të mirë të tyre.

“Kemi marrë material nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, shembuj të pyetjeve dhe të mënyrës se si duhen përgatitur nxënësit teknikisht. Unë i kam përgatitur në mënyrë teknike, kurse mësimdhënësit e matematikës dhe të gjuhës janë duke i përgatitur vazhdimisht, aq sa kanë mundësi dhe kohë”, thotë Idrizaj-Zeqiri.

"Boll kemi heshtur" 

“Boll kemi heshtur”

 

Nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë kanë mbajtur të martën, më 19 prill, një marsh protestues me moton “S’po shkohet në shkollë”, duke kërkuar cilësi më të mirë në arsim dhe kushte më të mira nëpër shkolla.

Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës konfirmojnë se “nxënësit janë njoftuar me natyrën e pyetjeve të testit dhe me mënyrën e plotësimit të testit në kompjuter”.

“Janë përzgjedhur 7,000 nxënës nga 237 shkolla dhe janë siguruar hapësirat me kompjuterë, ku do të mbahet testi”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in.

Ekspertë të fushës së arsimit, megjithatë, nuk janë optimistë për rezultate të mira në PISA.

“Rezultatet do të jenë drithëruese”, thotë për Radion Evropa e Lirë Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit.

Sipas tij, cilësia në arsim edhe më herët nuk ka qenë e kënaqshme, por në dy vjetët e fundit është përkeqësuar, për shkak të mësimit në distancë që, kohë pas kohe, ka imponuar pandemia e koronavirusit.

 

“Ne, kur kemi qenë edhe në kushte më të mira, rezultatet kanë qenë shqetësuese”, thotë Halimi.

Ngjashëm shprehet edhe Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit në organizatën “Ed-Guard”, me seli në Prishtinë.

“Testi PISA nuk duhet të jetë qëllim më vete. Synim duhet të jetë përmirësimi i cilësisë së arsimit, si interes shtetëror për zhvillimin socio-ekonomik, e jo vetëm për rezultate të testit”, thotë Qehaja për Radion Evropa e Lirë.

Rezultatet e testit të parë PISA, që është mbajtur në Kosovë në vitin 2015, janë publikuar në vitin 2016. Kosova, asokohe, është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

PISA e dytë në Kosovë është mbajtur në vitin 2018 dhe nga rezultatet e publikuara më 2019, Kosova ka dalë e 77-ta në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar testimit.

Testi i sivjetmë ka qenë i paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar edhe në një raport që ka publikuar Banka Botërore në vitin 2020, në të cilin është thënë se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.

“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, ka thënë kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari.

Kosova duket se ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.

Në testin PISA më 2018, e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka qenë Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Gazetari gjerman zbulon detajet, kur planifikohet që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës

Gazetari gjerman Michael Martens në një shkrim në gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung me titull “Rusia jashtë, Kosova brenda?”, ka raportuar se Kosova së shpejti mund të jetë anëtari më i ri i Këshillit të Evropës.

Martens në shkrimin e tij më tej thekson se Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim në KiE pas zgjedhjeve në Francë, ndërsa kjo pastaj mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023.

Gazetari gjerman në një analizë për FAZ thekson se një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së Kosovës në Këshill të Evropës është më pak premtuese, ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit.

“Këshilli i Evropës mund të ketë së shpejti një anëtar të ri. Sipas informatave të FAZ nga Prishtina, Qeveria e Kosovës po planifikon të aplikojë për anëtarësim pas zgjedhjeve në Francë, ndoshta në maj. Kjo mund të çojë në pranimin e Kosovës në vitin 2023. Perspektivat vlerësohen si të mira në kryeqytetin e Kosovës, sepse përjashtimi i Rusisë, do të thotë se aleati më i rëndësishëm i Serbisë ka dalë nga Këshilli i Evropës”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Prandaj, një fushatë e suksesshme e Beogradit kundër përfshirjes së Kosovës Këshill të Evropës është më pak premtuese, ndryshe nga Kombet e Bashkuara, ku Rusia, me fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit, po bllokon pranimin e Kosovës, apo rrethanat tjera në BE, transmeton Telegrafi.

Pas përjashtimit të Rusisë, Këshilli i Evropës ka 46 anëtarë. Nga këto, 34 e njohin pavarësinë e Kosovës, e që është më shumë se ajo që kërkohet, dy të tretat, 31.

“Kosova tani ka një mundësi të madhe për të aplikuar për anëtarësim menjëherë. Rusia dhe aleatët e saj nuk janë më në gjendje ta bllokojnë Kosovën”, është shprehur ish-diplomati Petrit Selimi, ish-ministër i Jashtëm në detyrë i Kosovës.

Ai thekson se aplikimi nuk ka të bëjë vetëm me mundësinë matematikore, por edhe me domosdoshmërinë politike të një hapi të tillë: Argumenti kryesor duhet të jetë nevoja që qytetarët e Kosovës, duke përfshirë edhe pakicat, të gëzojnë qasjen në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Mbajta e izoluar e Kosovës nuk është në interesin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan.

Ndryshe, Martens dje kishte paralajmëruar se Kosova shumë shpejt do të iniciojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillit të Evropës.

Ai në një postim në Twitter, duke iu referuar burimeve të tij thoshte se matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira.

“Rusia jashtë, Kosova brenda? Disa burime të besueshme konfirmojnë se Kosova ‘shumë shpejt’ do të iniciojë procesin e anëtarësimit të plotë në Këshillit të Evropës. Matematikisht dhe politikisht, shanset për sukses konsiderohen të jenë të mira…”, kishte shkruar Martens.

Dy javë më parë edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur optimiste për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës por sipas saj nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.

“Ne tashmë kemi dakordimin si institucione, dhe unë si drejtuese e Politikës së Jashtme kam kërkuar që sivjet të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vjet e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurt”, ishte shprehur ajo, përcjell Telegrafi.

“Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”, ishte shprehur presidentja.

Ndryshe, më 16 mars Federata Ruse është përjashtuar nga Këshilli i Evropës.

Këshilli është organi më i vjetër politik i Evropës dhe synon të mbështesë të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin.

Në një deklaratë nga Komiteti i ministrave të Këshillit thuhej se pas një takimi “të jashtëzakonshëm”, anëtarësimi i Rusisë ishte pezulluar.

Procedura për t’i dhënë fund anëtarësimit të Rusisë filloi fillimisht më 25 shkurt – një ditë pasi forcat e presidentit rus, Vladimir Putin pushtuan Ukrainën. bw

Presidenti i Letonisë, Egils Levits viziton Kosovën

Leonat Shehu

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, tha sot se arkitektura e sigurisë në Evropë duhet të ndryshojë pas agresionit rus ndaj Ukrainës, ndërsa bëri thirrje që Kosova të përfshihet në Programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n si rrugë drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, ku u takua me udhëheqës të institucioneve të Kosovës. Presidenti Levits tha se Letonia dhe Kosova ndajnë histori të ngjashme dhe se të dyja vendet po e ruajnë demokracinë dhe pavarësinë e tyre.

“Nëse shohim në tërësi situatën e sigurisë në Evropë e shohim se ka një ndryshim këta dy muajt e fundit pas agresionit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës dhe arkitektura e sigurisë e Evropës duhet të ripërtërihet e bazuar në realitet, e ky realitet është se ne duhet të përballemi me një Rusi agresive, dhe gjithashtu shtetet evropiane, NATO-ja, si aleancat më të rëndësishme dhe të gjitha vendet evropiane duhet të bazojnë konceptin e mbrojtjen së tyre mbi realitetin”, tha ai duke nënvizuar se është e rëndësishme të forcohet bashkëpunimi ndërmjet NATO-s dhe Kosovës.

“Dhe si hap i parë i nevojshëm është që Kosova t’i bashkohet programit për Partneritet për Paqe dhe mendoj se tani është koha të hidhet ky hap. Është në dorën e NATO-s të vendosë për këtë dhe ky do të ishte një fillim për një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe NATO-s dhe ne e mbështesim fuqishëm këtë hap”, tha ai.

Presidenti Levits tha se të gjitha shtetet kandidate për integrime evropiane duhet të jenë në një vijë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

“Dhe nëse një shtet kandidat nuk është në vijë në një çështje kaq shumë të rëndësishme normalisht që përparimi i mëtutjeshëm drejt rrugës së pranimit në Bashkimin Evropian do të ngadalësohet dhe do të thosha që ky shtet kandidat do të bllokonte veten”.

Ai tha se Letonia e sheh shumë të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare posaçërisht në Këshillin e Evropës. Presidenti Levits shprehu besimin në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë…

“Por nëse nuk ka përparim atëherë ka rrugë tjera se si Kosova mund të integrohet më shumë në kornizën evropiane”, tha ai.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dështuan të enjten arrijnë një marrëveshje për përdorimin e targave të makinave, mospajtimet rreth të cilave nxitën tensione të larta në mes të dyja vendeve fundverën e kaluar.

Dita e djeshme ishte caktuar si afat për një marrëveshje përfundimtare rreth kësaj çështjeje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se marrëveshjet po bllokohen nga Serbia e cila sipas saj nuk po i pranon parimet dhe standardet evropiane.

“Kosova ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshja ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja në përputhje me kriteret, parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po e shkakton pala tjetër, në këtë rast po e shkakton Serbia. Në ditët në vijim do të ketë akoma përpjekje, ajo çka mund të ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe Kosova do të vazhdojë të jetë palë e cila respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane”, tha Presidentja Osmani.

Kosova dhe Serbia që nga fillimi i tetorit i vitit të kaluar zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se i ka ftuar kryenegociatorët “të takohen sërish në ditët në vijim për të rënë dakord mbi rrugën përpara ndërsa theksoi se pret që palët të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë në terren.

Presidenti i Letonisë sot vizitë zyrtare në Kosovë, konferencë me homologen Vjosa Osmani

Presidenti i Letonisë, Egils Levits do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë.

Levits në orën 10:00 do të pritet me ceremoni shtetërore në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Pas ceremonisë, do të zhvillohet takimi me presidenten Vjosa Osmani ku më pas pritet që zyrtarët të zhvillojnë një konferencë për mediat.

Sakaq në mesditë presidenti i Letonisë, Egils Levits do të pritet edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. bw

Nga takimi Kosovë-Serbi në Bruksel nuk u arrit asnjë marrëveshje

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi. Fotografi nga arkivi.

RFE/RL

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 21 prill se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi.

Bislimi tha po ashtu se u mbetet krerëve shtetërorë se si të vazhdohet tutje, pasi marrëveshja e përkohshme për targat skadon sot.

“Është vendim politik që duhet të marrin krerët e shtetit se si të ecim tutje, por nuk do të ketë asnjë veprim të menjëhershëm, do të ketë gjithçka të përgatitur mirë dhe të dakorduar edhe me komunitetin ndërkombëtar. Gjithçka do të jetë në funksion të vendosjes së rendit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se Kosova do ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësojë sikurse Serbia.

“Ndërkaq, për tabelat ‘KM’ të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ilegale, do të ofrohet një opsion se si kalojmë te targat normale”, tha Bislimi.

Këto deklarata të Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

Miroslav Lajçak ka arritur t’i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

Petar Petkoviq, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo kosovare nuk janë takuar së bashku që nga vera e kaluar.

Bislimi po ashtu tha se në takimin me kryenegociatorin serb, Beogradi tregoi “se nuk do zgjidhje”.

“Edhe sot kur u konfrontuam me faktin e hidhur që pala serbe nuk do zgjidhje, ne u munduam që të gjejmë një opsion kalimtar, duke e bartur përgjegjësinë nga grupi punues te kryenegociatorët për një periudhë tranzitore prej 30 ditësh, edhe këtu Serbia nuk ishte e gatshme të bashkëpunojmë. Kështu që mund të them që marrëveshja për targat apo ideja për arritjen e marrëveshjes për targa ka përfunduar pa sukses”, shtoi Bislimi.

Ndërkaq, mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore. Por Bislimi tha se ky lajm është i pavërtetë.

“Në asnjë rast nuk është përmendur dhe as prekur tema e arkivave , as në takim bilateral e as në trelateral”, tha ai.

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Edhe Lajçak konfirmoi takimet në Bruksel për targat, por shtoi se në këto takime po bisedohet edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sot po zhvillohet takimi i kryenegociatorëve midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një agjendë të plotë me çështjet aktuale, përfshirë targat e makinave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak në Twitter.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët evropianë paralajmëruan nevojën e arritjes së një marrëveshjeje.

“Ne vazhdojmë t’ua kujtojmë se është urgjente të gjendet një gjuhë e përbashkët. Kjo do të kërkojë fleksibilitet politik dhe kompromis. Nuk mund të presim sepse disa nga çështjet kërkojnë veprim urgjent nga ana jonë”, tha Elsa Fenet, shefe e divizionit të Ballkanit Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm.

Kosovës dhe Serbisë sot, më 21 prill, u skadon afati për të arritur një marrëveshje përfundimtare lidhur me targat e veturave serbe dhe atyre kosovare që hyjnë dhe dalin nga kufijtë e dy shteteve.

Nga burimet në BE më herët thanë se për çështjen e targave janë identifikuar disa ide, por palët e kanë përgjegjësinë që të pajtohen për njërën prej këtyre zgjidhjeve.

Lajçak, më 20 prill porositi se u takon kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë “një marrëveshje për të lëvizur përpara” sa i përket çështjes së targave, kur të takohen më 21 prill.

Ai tha përmes një postimi në Twitter se ekspertët e Kosovës dhe Serbisë më 20 prill kanë mbajtur në Bruksel takimin e fundit të grupeve punuese.

“Me punën e tyre, ata kanë përgatitur diskutimet e kryenegociatorëve, që do të mbahen nesër [e enjte, 21 prill]. Tani, u takon kryenegociatorëve që të arrijnë një marrëveshje për të lëvizur përpara”, shkroi Lajçak në Twitter.

Ndërkaq, një ditë para skadimit të afatit, Mirosllav Lajçak, ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak nga Beogradi porositi se BE-ja pret që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Deri tash, palët nuk kanë dhënë sinjale – të paktën jo publikisht – se janë afër një marrëveshjeje të përhershme për targat.

Arton Demhasaj, drejtor i organizatës joqeveritare “Çohu”, me seli në Prishtinë, thotë se arritja e kompromisit eventual për çështjen e targave është e vështirë, marrë parasysh se, deri më tash, nuk duket se ka përafrim ndërmjet palëve.

Demhasaj thotë se tani ekzistojnë dy opsione: që marrëveshja e përkohshme të vazhdohet edhe për një kohë, ose që palët të kthehen në pozicionet fillestare, që kanë qenë para marrëveshjes së përkohshme.

Edhe Dushan Radakoviq, nga organizata “Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike”, me seli në Mitrovicën e Veriut, nuk pret që palët të arrijnë marrëveshje të përhershme për targat deri më 21 prill, edhe pse, sipas tij, palët kanë dhënë disa propozime.

Ai thekson se, në bazë të informacioneve që ka, një nga opsionet për marrëveshje është që Kosova t’i ndryshojë targat e saj dhe në vend të akronimit RKS [Republika e Kosovës], të ketë akronimin KOS, që nënkupton Kosova.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Me marrëveshjen e përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Marrëveshja është arritur pas disa ditësh trazira në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kishin bllokuar rrugë, për të kundërshtuar vendimin e atëhershëm të Qeverisë së Kosovës për masa reciprociteti. Me ato masa, automjetet me targa të Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, është dashur të vendosin targa të përkohshme – ngjashëm siç kanë vepruar shoferët e automjeteve me targa të Kosovës kur kanë hyrë në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 18 prill se për Kosovën është i padiskutueshëm dhe i panegociueshëm “parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme” për çështjen e targave.

Këto deklarata të Kurtit, në Serbi i kanë parë si kërcënim.

Kosovë – Hapet aplikimi për shtesa prej 100 eurove për punëtorët e sektorit privat

RFE/RL

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në Kosovë ka njoftuar se është hapur platforma online për aplikim për tërheqjen e shtesave prej 100 eurosh për punëtorët në sektorin privat.

Aplikimi për mbështetje do të bëhet në mënyrë elektronike, duke plotësuar formularin me të dhënat personale të të punësuarit në këtë vegzë.

Kusht për kualifikim është që punëtori të ketë qenë i deklaruar si i punësuar në periudhën tatimore në muajin shkurt 2022.

Kurse, punëtorët të cilët janë deklaruar nga punëdhënësi në periudhën tatimore mars 2022, mund të aplikojnë, mirëpo subvencionin do të mund ta përfitojnë vetëm pasi të jenë deklaruar edhe për periudhat tatimore prill dhe maj, dhe subvencionin do të mund ta marrin në fund të muajit qershor 2022.

Aplikimi për këto shtesa do të jetë i hapur nga data 21 prill deri më 20 maj 2022.

Më 12 prill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shtesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Nga kjo ndihmë, siç ka thënë Kurti, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se më 15 prill janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për pensionistët.

Ndërkaq, javën tjetër, sipas Qeverisë do të ekzekutohet pagesa e dyfishtë e asistencës sociale për 26 mijë familje dhe shtesat për punëtorët e sektorit publik.

Edhe të punësuarit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit, sipas Ministrisë së Financave dhe Transfereve, nuk kanë nevojë të aplikojnë sepse subvencionin do ta marrin me pagën e muajit prill.

Ndihma e Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas një inflacioni të lartë që ka goditur vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në muajin mars në Kosovë është rritur për 10 për qind, krahasuar me muajin mars të vitit 2021.

Gjenerali Wesley Clark në Prishtinë, takohet me Kurtin e Mehajn

Gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, ka ardhur për vizitë në Kosovë. Clark është parë teksa futet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, dhe ka takuar kryeministrin, Albin Kurti dhe ministrin Armend Mehaj.

Lidhur me vizitën e Clark nuk ka pasur ndonjë njofitm paraprak. Express

‘Basha me katër vila’- Erion Veliaj fiton gjyqin me kunatin, Erion Isufin

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka fituar betejën gjyqësore edhe në Gjykatën e Posaçme të Apelit me Erion Isufin, kunatin e Lulzim Bashës.

Ky i fundit e kishte paditur Veliajn më shumë se një vit më parë për shpifje, për pronësinë e 4 vilave në resortet luksoze në Gjirin e Lalzit dhe në Long Hills në Tiranë.

Veliaj ka fituar edhe gjyqin e radhës me Erion Isufin në Gjykatën e Posaçme të Apelit, pasi ai nuk arriti të provonte dot se deklaratat e një viti më parë të Veliajt, se Lulzim Basha zotëron 4 vila dhe kishte aplikuar në bashki për vilën e 5-të, ishin të pavërteta.

Ky vendim i Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila njësoj si SPAK hodhi poshtë pretendimet e Erion Isufit, në fakt, vërteton indirekt se deklaratat e Veliajt ishin të sakta dhe se vilat në fjalë ekzistojnë. syri.net

VV në 9 vjetorin e marrëveshjes së Brukselit: Thaçi i nisi bisedimet i shantazhuar nga Dick Marty

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë me një komunikatë të gjatë në faqen zyrtare në “facebook” me rastin e 9 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së parë në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizim raportesh që mban firmën e ish-kryeministrit dhe ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqit nga pala serbe.

Vetëvendosje ka sulmuar Hashim Thaçin duke thënë se këto bisedime i kishte nisur me Serbinë në momentin kur Kosova ishte në kulmin e arritjeve si shtet dhe si pas tyre me një veprim të tillë Thaçi e kishte “njollosjur pavarësinë”.Gjithashtu në këtë reagim, thonë se këto bisedime kishin filluar kur s’kishin kaluar as tre muaj na publikimi i Raportit të Dick Martyt.

Në këtë reagim, partia në pushtet gjithashtu përmend edhe marrëveshjet për Asociacionin e Komunave serbe dhe gjithashtu edhe letrën që ish-kryeministri Thaçi ia kishte dërguar NATO-së, e ku zotohej se FSK-ja nuk do të shkonte në veri me vendim të njanshëm dhe pa bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in.

VV thotë se kjo është trashëgimia që është lënë në dialog opozita e sotme dhe se tashmë si parti në pushtet po i duhet ta mbrojë Kosovën nga asociacioni njëetnik.

Në fund të reagimit thonë se në mes të Kosovës dhe Serbisë vetëm statusi i raporteve ka mbetur pa u zgjidhur, dhe që për të ecur përpara duhet që Kosova dhe Serbia ta njohin njëra-tjetrën, siç edhe kishte shkruar Joe Biden në letrën e tij.

“Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Në 9 vjetorin e marrëveshjes Thaçi – Daçiq

Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.

Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik  i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një Republika Sërpska në tentativë brenda Kosovës.

Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.

Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.

Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.

Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.

E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku  njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!

Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.

Konjufca: Ne po i nderojmë të rënët për liri, Serbia kasapin e vet që vrau mbi 160 mijë njerëz

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka thënë sot se Kosova po nderon këto ditë të rënët për liri, ndërsa Serbia kasapin e vet, Sllobodan Millosheviqin.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në tubimin përkujtimor në 23 vjetorin e masakrës serbe në rajonin e Llapit dhe Gollakut.

Gjatë fjalimit në këtë tubim, Konjufca ka thënë se Kosova po u bën homazhe të rënëve që kanë derdhur gjak për liri, e në të njëjtën kohë Serbia po bën homazhe tek ish-kryetari i saj, Sllobodan Millosheviq, për fajin e të cilit vdiqën mbi 160 mijë civilë në shumë vende të Ballkanit.

“Jemi mbledhur këtu që t’i kujtojmë 227 të rënët që kanë dhënë jetën për lirinë e popullit tonë. Vetëm gjatë luftës së fundit gjenocidi i Serbisë i ka vrarë mbi 12 mijë qytetarë shqiptarë në Kosovë dhe përgjegjësi është shumë i qartë për të gjitha këto krime me mbi 300 masakra anë e kënd Kosovës. Nëse ju e përcillni sot se çfarë po flet kryetari i Serbisë e kryetari i Parlamentit të saj, Serbia po i bën homazhe Millosheviqit, ne po u bëjmë homazhe të rënëve që kanë derdhur gjak për liri. Serbia po i bën homazhe kasapit të vet që i la të vdekur mbi 160 mijë qytetarë të popujve të ndryshëm në Ballkan”, ka thënë ai.

Kurti: Asnjë gram tolerancë për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “sulm terrorist” sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit më 15 prill, duke shtuar se nuk do të ketë “asnjë gram tolerancë” nga Qeveria për strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë.

Duke folur me gazetarët në Prishtinë më 18 prill, pas homazheve pranë bustit të Zahir Pajazitit, Kurti tha se u takon organeve të rendit që të hetojnë dhe të vlerësojnë situatën e sigurisë, pas disa sulmeve të raportuara ndaj policisë në veri të Kosovës.

“Është Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës ato që i bëjnë analizat, studimet edhe të shkaqeve dhe të rrethanave të këtyre sulmeve mbi pjesëtarët tonë të policisë. Ne e kemi dënuar ashpër këtë sulm, i cili ishte sulm terrorist me qenë se me plumba, me granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë, të cilët patën fat që në veturat e tyre pësuan vetëm dëme materiale”, tha Kurti.

Ai tha se sulmi i 15 prillit, kur sipas autoriteteve të rendit në Kosovë, policët ishin sulmuar teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë, kishte për qëllim të vriste policët.

“Me strukturat ilegale të Serbisë, me krimin e organizuar kurrë nuk do të ketë asnjë gram tolerancë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, nga shteti i Kosovës, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Policia e Kosovës”, tha Kurti.

Më 15 prill, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ishte përballur me një sërë sulmesh në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Sveçla tha se këto sulme kanë për qëllim që ta destabilizojnë Kosovën.

Më 16 prill, Policia e Kosovës njoftoi se sërish ishte sulmuar me mjete shpërthyese në afërsi të pikëkalimit kufitar në Jarinjë që lidh Kosovën dhe Serbinë.

Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë në veri të Kosovës. Ndërkaq, tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët policorë kishin zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës i kanë dënuar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Kurti bën homazhe në varrezat e Velanisë: Si Qeveri asnjëherë nuk do të harrojmë se nga vijmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Velani.

I shoqëruar nga ministrat e tij, Kurti tha institucionet e Kosovës nuk do t’i harrojnë dëshmorët e kombit.

“Te flamuri kombëtar shqiptar që qëndron para varrezave të dëshmorëve të kombit në Prishtinë sot vendosëm lule të freskëta. Në ditën e dëshmorëve veçanërisht ne i kujtojmë e i përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë të kryeqytetit që dhanë jetën e tyre për lirinë popullit për çlirimin e vendit. E kaluara e lavdishme është vendimtare për drejtimin dhe shpejtësinë në ecjes përpara të Kosovës si shtet dhe të shqiptarëve si komb. Si Qeveri e Republikës së Kosovës asnjëherë  nuk do ta harrojmë se nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë pikërisht duke ju falënderuar gjakut të derdhur për liri i cili nuk shlyhet kurrë”, tha Kurti./Express

Raportohet për shpërthime në Veri të Mitrovicës

Mediat lokale të Mitrovicës raportojnë se janë dëgjuar zhurmat nga dy shpërthime në veri të Mitrovicës.

Ato thonë se para pak minutash janë dëgjuar dy shpërthime në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës.

Sipas një raportimi të “Jepi Zë”, banorët me të cilët kanë biseduar, po dyshojnë se mund të jenë bomba, por edhe fishekzjarre të mëdha.

Dëshmitarët thonë se shpërthimet janë dëgjuar në një prej lagjeve ku jetojnë shumë shqiptarë në veri.

Shpërthimet, sipas raportimeve, janë dëgjuar edhe në jug. Express

Pika e re kufitare lehtëson jetën e qytetarëve në mes Shqipërisë e Kosovës

Shishtavec-Krushevë, pika e re e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës u hap pas marrëveshjes së nënshkruar nëntorin e shkuar mes dy qeverive shqiptare.

Në ceremoninë e hapjes së kësaj pike kufitare u paralajmëruan marrëveshje të tjera në mes dy vendeve tona, derisa u tha se kjo pikë kufitare do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve nga të dyja anët por gjithashtu do të shërbejë edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Bledar Çuçi ka thënë se me hapjen e kësaj pike kufitare po krijojnë ura sa më të komunikueshme midis vendeve tona për të bërë jetën e qytetarëve sa më të lehtë.

“Besoj se të gjithë përfitimet që do të pësojnë të dy komunitetet në dy anët që në fakt kanë një lidhje historike shumë më të largët se sa historia jonë e afërt, ne nuk bëjmë asgjë tjetër veç se i kthejmë ata në historinë e tyre, në traditat e tyre dhe ky është qëllimi parësorë si kundër pastaj edhe qëllimet e tjera që lidhen me krijimin e kanaleve të lëvizshmërisë qoftë të njerëzve qoftë të mallrave, të turizmit. Të dy anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të turizmi…Në agjendën e përbashkët të filluar me nënshkrimin e tri marrëveshjeve, por që nuk do të ndalojë te këto tri marrëveshje, ky është një nga hapat e rëndësishëm të këtyre tri marrëveshjeve”, tha ai duke shtuar se shumë shpejt do të heqin edhe regjimet tjera të lëvizjes së qytetarëve tonë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se hapja e kësaj pike është dëshmi e vullnetit të të dy qeverive që të tejkalohen të gjitha vështirësitë dhe jetën e qytetarëve ta bëjnë sa më të lehtë.

“Forcimi i raporteve tona nuk do të ndalet këtu. Kjo është realizimi i marrëveshjes së dytë nga tri të cilat dy ministritë tona, dy qeveritë tona i kanë nënshkruar por do të ketë edhe marrëveshje tjera. Shumë punë duhet të bëjmë që bashkëpunimi ynë të jetë sa më i afërt, sa më dinamik e që qytetarin e zakonshëm të jetë sa më i padukshëm që ne realisht ta përmbushim misionin tonë të parë, të jemi në shërbim të tyre”, tha ai.

Sipas ministrit Sveçla, kjo pikë kufitare do të jetë e hapur 24 orë dhe shtatë ditë në javë që do t’i shërbejë qytetarëve tonë dhe shtetasve të vendeve të treta.

Ai shtoi se kjo zonë është me shumë gjasa për t’u zhvilluar dhe duhet t’i ndihmuar, pasi është zonë që mund të ketë edhe zhvillim të hovshëm të turizmit./KP

Policia thotë se u sulmua në veri me mjete shpërthyese

RFE/RL

Policia e Kosovës tha se në orët e hershme të mëngjesit të 16 prillit kanë ndodhur dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.

Sipas policisë, dyshohet se shpërthimet kanë ndodhur pranë një veture të policisë, janë kryer me mjete piroteknike. Policia tha se dyshon se këto mjete shpërthyese janë hedhur “nga territori i Serbisë”.

“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë”, thuhet në njoftim.

Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre [dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike]. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftim.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më vonë gjatë 16 prillit, njoftoi se ka vizituar dy pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë, si dhe vendin ku ndodhi sulmi i fundit.

“Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Shaptej vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku Policia jonë kufitare mbikqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër pesë sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Sulmet në veri

Autoritetet në Kosovë më 15 prill bën të ditur se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës ishte sulmuar më 15 prill, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Ministri Sveçla, po ashtu ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”. Ai i ka quajtur këto sulme terroriste.

Sipas Sveçlës, sulmet e fundit janë kryer nga grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia”.

“Unë mendoj që qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla.

Policia e Kosovës në muajin shkurt kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Ndërkaq, tetorin e vitit të kaluar, zyrtarët policorë kishin zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut.

Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, u dënuan nga Ambasada amerikane në Prishtinë, Bashkimi Evropian dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Sveçla për sulmin e fundit: Gjendja shëndetësore e policëve është e mirë, isha te vendi ku ndodhi sulmi

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar përmes Facebook për sulmin e radhës që është kryer mbi policinë kufitare nga persona ende të paidentifikuar, por me dyshime që vijnë nga territori serb.

Ministri Sveçla ka thënë se pas sulmeve me mjete shpërthyese, gjendja shëndetësore e zyrtarëve të policisë është e mirë dhe nuk ka dëme materiale.

“Në orët e hershme të mëngjesit, nga grupe kriminale janë sulmuar me mjete shpërthyese veturat e policisë kufitare. Sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës të cilat i kemi mbyllur. Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policor është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”, ka shkruar Sveçla”, ka shkruar ai.

Sveçla ka thënë se me të marrë lajmin, ka vizituar pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak, aty ku ka ndodhur sulmi, por edhe në Izvor e Trebickë, aty ku janë bllokuar rrugët për ta penguar kontrabandën.

“Sot kam vizituar pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, Shaptej vendi ku ka ndodhur sulmi i mbrëmshëm, si dhe në Izvor e Trebickë, ku Policia jonë kufitare mbikqyrë bllokimin e rrugëve ku më herët është zhvilluar kontrabanda. Përkundër 5 sulmeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur ndaj zyrtarëve policor, puna e tyre po vazhdon me intensitet të njejtë e me vigjilencë të shtuar.  Vazhdojmë bashkë e me përkushtim maksimal që të luftojmë çdo grup kriminal që me aktivitete ilegale cenojnë sigurinë e vendit tonë”, ka shkruar Sveçla. /GazetaExpress/

KFOR: Të përmbahemi nga veprimet që përshkallëzojnë tensione në veri

RFE/RL

“Misioni NATO-s në Kosovë, KFOR, dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, ka thënë një zyrtar për media i KFOR-it në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Reagimi i KFOR-it pason njoftimin nga autoritetet e Kosovës, të premten, më 15 prill, se është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për ta mbështetur Policinë e Kosovës nëse ka nevojë dhe nëse kërkohet. Ne presim nga të gjitha palët të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet pa nevojë dhe të ndikojnë negativisht në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Gjithashtu, KFOR-i ka thënë se “mbetet i fokusuar në sigurimin e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, tha se sulmi të premtën, “tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Ai ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, “të ardhur nga Serbia”, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër at që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.

Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.

Ambasada e SHBA bën thirrje të mos rriten tensionet

RFE/RL

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka shprehur shqetësimin lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, për të cilat autoritetet e Kosovës kanë raportuar më 15 prill.

Ai ka paralajmëruar që “të mos bëhen spekulime që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”.

“Ambasada e SHBA-së është shumë e shqetësuar nga raportimet për shtënie me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të organeve të rendit afër Zubin Potokut. Këto sulme ndodhen derisa autoritetet sovrane, përgjegjëse për të mbajtur paqen dhe sigurinë, po i kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të turpshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës”, ka shkruar ambasadori Hovenier në Twitter.

1/2: The U.S. Embassy is deeply concerned by reports of gun shots fired & rocks thrown at Kosovan law enforcement officials near Zubin Potok. These attacks occurred as the sovereign authorities responsible for maintaining peace & security were carrying out their official duties.

— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) April 15, 2022

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, të premten, më 15 prill, kanë bërë të ditur se është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

Ai ka theksuar se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, “të ardhur nga Serbia”, Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që “të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës”.

Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër at që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.

Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.

Aeroplani gjigant luftarak i Britanisë së Madhe që ateroi në Prishtinë

KFOR-i përmes një postimi në faqen zyrtare në ‘facebook’ kanë treguar se si këtë javë në Aeroportin e Prishtinës ka zbritur një aeroplan i Forcave Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar i llojit “A400M Atlas”.

Aeroplani ishte nisur nga “RAF Brize Norton” në Britani të Madhe, dhe drejt Prishtinës kishte fluturuar për të kryer një operacion të ndihmës për forcat tokësore ushtarake të Britanisë së Madhe që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

“Avioni A400M është një mjet strategjik shumë funksional, i aftë për të transportuar ngarkesa të rënda në distanca të konsiderueshme, në lartësi të ndryshme me aftësinë për të ulur në pista shumë të shkurtra. A400M operohet gjithashtu nga forcat ajrore në Gjermani, Francë, Spanjë, Turqi dhe Belgjikë duke formuar shtyllën kurrizore të transportit ajror të NATO-s”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Policisë: Në sulmin e tretë dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga Serbia

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka treguar në detaje për sulmet ndaj patrullave policore në veri të vendit.

Ai tha se në njërën prej tyre të shtënat me armë zjarri dyshohet se erdhën nga territori i Serbisë në drejtim të policëve kosovarë, afër pikës kufitare.

“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth orës 20:40 minuta, janë dëgjuar katër deri në pesë të shtëna me rafal të shkurta, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë. S’ka pasë të lënduar, por vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës, në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge ilegale”.

Mehmeti tha se prej datës 13 deri më sot kanë qenë katër sulme të organizuara dhe të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës në një territor që është i ndërlidhur apo vendet ku janë bërë sulmet janë shumë afër njëra-tjetrës dhe “natyrisht kjo na jep të kuptojmë se sulmi është i organizuar dhe ka për qëllim që të sulmojë dhe të pengojë punën e  policisë, të pengojë aksionet policore që kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandës dhe tregtive ilegale”.

Mehmeti foli edhe për sulmet e tjera.

“Me datën 13 në magjistralen Mitrovicë- Zubin Potok, patrulla e policisë ka hasur në iriqë metalikë që shërbejnë për t’i dëmtuar gomat e automjeteve, 46 iriqë, në mes të rrugës që mundësonin bllokimin e rrugës dhe dëmtimin e gomave. Pra, ka rëndësi edhe koha kur ka ndodhur, në ora 8 të mbrëmjes kur bëhet ndërrimi i patrullave tonë në Bërnjak, e që lidhet me rrugët ilegale që i kemi mbyllur”.

“Sulmi tjetër ndodhi ndaj policisë kufitare, në afërsi të Bërnjakut ku është sulmuar me gurë dhe është dëmtuar automjeti. S’ka pasë të lënduar. Ndërsa, sot në mëngjes janë sulmuar drejtpërdrejt. Sulmi  është kryer me granatë dore dhe pushkë AK-47. Të dy veturat e policisë janë dëmtuar. Falë gjindshmërisë dhe automjeteve të blinduara, s’kemi të lënduar”.

Njësitë relevante po e hetojnë vendin bashkë me prokurorin.

Për këto sulme ndaj Policisë së Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media dolën ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti./Gazeta Express/

Sveçla: Sulmohet Policia e Kosovës në veri

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla(Foto nga arkivi).
RFE/RL

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.

“Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.

Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.

Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.

“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sveçla, sqaroi se rastet e fundit nuk janë bërë publike në fillim për t’i dhënë kohë policisë për t’i zbuluar shkaktarët.

Por, siç shtoi ai, me sulmin e së premtes ku është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë, “këtu tash nuk kemi dyshime, ky është sulm terrorist dhe kemi vlerësuar që është e pashmangshme që këto informata të mos ndahen me publikun për të parandaluar çfarëdo lloj dezinformate”.

“Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë”, ka deklaruar Sveçla.

Sfeçla, po ashtu, ka thënë se këto ngjarje konfirmojnë “panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit”, duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.

Ndërkaq, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.

Mehmeti ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhen të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, “sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura”.

Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.

Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.

Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.

Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sfeçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.

Opozita bën thirrje që Kosova të pajiset me armatim modern

Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemit kundërajror të sofistikuar kinez. Kjo dërgesë mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajon, thonë deputetët e Kuvendit të Kosovës, teksa rekomandojnë që edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) të armatoset.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj ka thënë se ka një kohë të gjatë që Serbia është duke u furnizuar me lloje të ndryshme të armatimit dhe kjo është sinjal i keq për regjionin.

Tutje, ish-drejtori i Policisë tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nevojë të pajiset me armatim modern, duke përmendur mosreagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Ka një kohë të gjatë që Serbia po furnizohet me lloje të ndryshme të armatimit. Fillimisht është furnizuar me armatim nga shteti rus. Shpesh herë duke marrë falas këto pjesë të armatimit por edhe duke i blerë. Realisht kemi parë një dërgesë që ka ardhur gjysmë sekret nga Kina me sistem të mbrojtjes kundër ajrore. Mirëpo Serbia ka paralajmëruar edhe blerjen e aeroplanëve të ndryshëm edhe nga disa shtete Franca dhe Britania”.

“Dhe unë mendoj që armatosja e Serbisë është një sinjal mjaft i keq për regjionin. Këto nuk janë armë mbrojtje, por sulmi. Bashkësia ndërkombëtar nuk është duke reaguar fare në raport me Serbinë. Unë mendoj që Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të pajiset me armatim modern. Me sisteme mbrojtje meqenëse ne kemi nevojë që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë sa më e armatosur dhe e përgatitur dhe duhet të kërkojmë ndihmë nga partner tanë strategjik për t’u armatosur Kosova”, tha Qalaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha theksoi se Kosova nuk ka nevojë të frikësohet, por të armatoset edhe pse thotë se funksionojnë të gjitha institucionet e sigurisë në vend, raporton EO.

“Ka kohë që Serbia fuqizohet ushtarakisht. Kjo është pjesë e një plani të mëhershëm e ka vazhduar deri në ditët e sotme. Ne nuk kemi nevojë të frikësohemi, por duhet të armatosemi dhe nuk ka rrezik rajoni nga Serbia, por Kosova sepse dihet qysh e kemi pasur historinë”.

“Ne mbetet vetëm të armatosemi dhe me pas prioritet punës e veriut. KFOR-i është këtu, ne kemi ushtrinë e Kosovës, Policinë dhe të gjitha institucionet funksionojnë. Por kur armiku armatoset ajo i bie që duhet të armatosemi edhe ne”, tha Berisha.

Kurti prezanton planin për rritjen e pagës minimale

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 12 prill, se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë – të mërkurën – do të miratohet projektligji që i hap rrugën rritjes së pagës minimale.

Ai ka thënë se paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, dhe paga deri më këtë shumë do të lirohet nga tatimi.

Sipas Kurtit, mbi 100 mijë punëtorë do të përfitojnë nga kjo rritje.

Ministri i Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se nga kjo rritje do të përfitojë secila familje në Kosovë.

“Ligji për pagën minimale, përveç se rrit pagën për të gjithë përfituesit nën nivelin 264 euro, ofron rritje për pagës neto, si për sektorin privat, ashtu edhe për atë publik. Secili që e ka pasur pagën mbi 250 euro deri më tani, do të përfitojë rreth 80 euro në vit, apo 6.80 euro në muaj, pas lirimit nga tatimi”.

Në konferencë për media me gazetarët, Kurti ka thënë se në kuadër të masave për ringjalljen ekonomike, në muajin prill do të dyfishohet vlera e asistencës sociale, pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë, ashtu sikurse punëtorët e sektorit publik, privat si dhe studentët.

Sipas Kurtit, vlera e zbatimit të këtyre masave do të shkojë në mbi 100 milionë euro.

Murati ka thënë se për rritjen e pagës minimale duhet të bëhen disa ndryshime ligjore, duke përfshirë Marrëveshjen me Bankën Botërore për zgjerimin e asistencës sociale, Ligji për pagën minimale dhe Ligji për rishikimin e buxhetit.

Paga minimale në Kosovë është 170 euro. Ajo nuk ka ndryshuar qysh në vitin 2011.

Agjencia Evropiane e Statistikave e ka vlerësuar këtë pagë si më të ulëtën në Evropë.

Gjuriq në Shtëpinë e Bardhë dhe mungesa e vizitave nga Kosova në SHBA, flasin Spahiu e Çitaku

Takimi i ambasadorit serb, Marko Gjuriq, me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, ka nxitur reagime të shumta. Ish-ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu, ka thënë se s’është e zakonshme që një president ta pres në Zyrën Ovale një ambasador, derisa ish-ambasadorja Vlora Çitaku e sheh më shumë si një takim ceremonial, pasi që Gjuriq kishte dorëzuar kredencialet virtualisht para një viti si rezultat i pandemisë dhe s’kishte pasur mundësinë e një takimi fizik.

Gazeta Express

Megjithatë, të dy shprehin shqetësimin e tyre që deri tani në Shtëpinë e Bardhë s’ka pasur ndonjë vizitë nga liderët e shtetit të Kosovës e as ndonjë takim në nivel Sekretari apo të ngjashëm. Teksa flitet për mungesë vizitash, të dy e theksojnë faktin që diplomacia serbe në Amerikë është vendosur në ofensivë dhe thonë se liderët e shtetit të Kosovës sa më parë duhet të realizojnë udhëtime për në SHBA dhe takime të nivelit të lartë, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, për të mos lejuar hendeqe në raportet Kosovë-SHBA.

Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, shpërndau një fotografi me Presidentin Joe Biden e realizuar në Zyrën Ovale. Gjuriq shkroi se pati një takim dhe bisedë të shkurtër me Shefin e Shtëpisë së Bardhë. Një njoftim i tillë i Gjuriq nxiti reagime të shumta marrë parasysh raportet Serbi-SHBA dhe faktin se liderët e Kosovës ende s’kanë arritur të realizojnë vizita në Washington e “White House”.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se pritja në Zyrën Ovale e një ambasadori nga ana e presidentit amerikan nuk është e zakonshme, përveç në rastet kur dorëzohen kredencialet.

“Nuk është e zakonshme që një President të takojë një ambasador në Zyrën Ovale, pos me rastin e dorëzimit të kredencialeve, siç e priti Presidenti Biden ambasadorin serb Gjuriq, një njeri që deri dje ishte eksponenti më i zëshëm serb kundër ShBA-ve”, tha Spahiu për Gazetën Express.

Spahiu tha se takimi lidhet edhe me votën e Serbisë pro pezullimit të Rusisë nga Këshillin për të Drejtat e Njeriut në OKB.

“Kjo flet për një intensifikim të raporteve me Serbinë, që lidhet edhe me votën e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-se në favor të përjashtimit të Rusisë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut”, tha ai.

Por ish-shefja e misionit diplomatik të Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, i tha Gazetës Express se takimi i Gjuriqit është pjesë e pritjeve vjetore që presidenti i ShBA-ve i realizon me korin diplomatik.

“Ndonëse nuk i di detajet, më duket se pritja e ambasadorit të Serbisë në Shtëpi të Bardhë më ngjason me pritjet vjetore që Presidenti i ShBA-ve ka organizuar për korin diplomatik të akredituar së voni në SHBA”, tha ajo.

Nënkryetarja e PDK-së u shpreh se një pritje të tillë do të organizohet edhe për ambasadorin kosovar në SHBA pasi ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve e ka pasur online.

“Këto lloj pritjesh për korin diplomatik kanë qenë të rëndomta para pandemisë. Nga formati po më ngjason njëjtë dhe unë besoj që edhe ambasadori i Kosovës do të ftohet shpejtë në një pritje të tillë, sepse ceremoninë e dorëzimit të kredencialeve e kanë pasur online”, tha Çitaku për Express.

Por se diplomacia serbe është në ofanzivë në administratë e Kongresin amerikan pajtohen të dy ish-ambasadorët kosovarë.

Ish-ambasadori Spahiu thotë se Serbia ka zhvilluar një diplomaci tepër agresive në Administratën Biden dhe në Kongres.

“Është e qartë se Serbia ka zhvilluar një diplomaci tepër agresive për t’iu qasur Administratës amerikane të Bajdenit, por edhe më gjerë, si në rastin e krijimit të një lobi proserb në Kongres.Sa më shumë që Serbia  do të shkëputet nga Rusia aq më i gatshëm është Uashingtoni për të intensifikuar raportet me Serbinë dhe këtë duhet ta kemi parasysh”, tha Spahiu.

Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku tha se “jemi dëshmitarë të rritjes së angazhimit të diplomacisë serbe në Kongres.

Duke folur për mungesën e vizitave zyrtarëve të krerëve të shtetit të Kosovës në ShBA, ish-ambasadori Spahiu tha se ëshë hera e parë që liderë kosovarë nuk e kanë vizituar Washingtonin për një kohë kaq të gjatë.

“Është po aq indikativ fakti se është hera  e parë që liderë kosovarë nuk kanë vizituar Uashingtonin për një kohë kaq të gjatë. Vizita e parë e liderëve të vendit është dashur të bëhej pikërisht në Uashington. Dhe, kjo gjë nuk duhet përçmuar”, tha ai.

Mosrealizimin e asnjë vizite zyrtare të krerëve institucionalë të Kosovës tash e një vit në Washington po e sheh si shqetësuese ish-ambasadorja kosovare në ShBA.

“Ceremonitë e tilla protokolare nuk janë për t’u marrë me shqetësim. Ajo çfarë duhet të na shqetësojë është se tani e një vit nuk kemi asnjë vizitë zyrtare në SHBA. Nuk ka pasur ende asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, Sekretarin e Mbrojtjes, Shtëpinë e Bardhë. Fatkeqësisht kemi parë konfrontime publike, e të panevojshme nga ana e zyrtarëve tanë, e kjo më shqetëson shumë.”, tha Çitaku.

Duke folur për planifikimin e kryeministrit Kurti që të realizojë vizitë në SHBA në muajin maj, Çitaku tha se vizita e tillë e Kurtit ka qenë dashur të ndodhë më herët.

“Shpresoj që Kryeministri të ketë agjendë të qartë dhe substanciale. Mua më shqetëson fakti që një vizitë e tillë nuk ka ndodhur ende. Një gjë është e qartë, aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, tha ajo.

Ndërkaq, ish-ambasadori Spahiu shpreson se diplomacia kosovare të zgjohet nga apatia dhe të moslejohen divergjenca në raportet e Kosovës me partnerin kryesor ShBA-në.

“Shpresojmë se së shpejti diplomacia jonë do të zgjohet nga apatia dhe do të zhvillojë një diplomaci aktive jo vetëm në Uashington por edhe në vende të tjera partnere, për të mos lejuar krijimin e ndonjë hendeku në marrëdhënie. Çdo neglizhencë tonën do ta shfrytëzojë pala tjetër. Dhe, nuk duhet të lejojmë më të ketë divergjenca në raportet tona me partnerin kryesor SHBA-në”, tha ai.

Ish-ministrja e integrimeve evropiane tha poashtu se po presin agjendë dhe rezultate pas zotimeve të kryeministrit Kurti për aplikimin të statusit të kandidatit në BE, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Kryeministri është zotuar se Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për BE këtë vit, pastaj është zotuar për PFP(Programi i Partneritetit për Paqe) i NATO-s. Sikurse që është zotuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Tash po presim agjendë dhe rezultate. Nëse si liderë të opozitës jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha Çitaku.

Kryeministri Albin Kurti pas një viti në pushtet akoma s’ka realizuar një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në fund të vitit të kaluar ka përmendur stinën e pranverës si periudhë kur do të udhëtojë përtej Atlantikut, ndërkaq para disa jave e ka përmendur muajin maj si muaj kur do të udhëtojë për në “tokën e premtuar”./GazetaExpress/

‘Ndjesë për diellin e tepruar’- Nuk ndalet ministrja Muzhaqi e Ramës

Kongresi i PS, ashtu si çdo gjë tjetër, ishte më shumë formë se përmbajtje.

Nëpër zona të ndryshme në Tiranë ishin shpërndarë disa panele për të diskutuar për çështjet e ditës.

Por në pikun e vapës, të moshuarit që ishin detyruar të dilnin përballë ministrave të Edi Ramës, u torturuan duke dëgjuar propagandën boshe.

Sikur të mos mjaftonte kjo, u shfaq e zakonshmja Bora Muzhaqi, e njohur si ministrja e gafave.

Teksa ishte duke folur në Kongresin e Partisë Socialiste gjatë paradites së sotme, ministrja për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ka kërkuar ndjesë për diellin e tepërt.

Duket se Muzhaqi është bërë njësh me natyrën sot dhe në emër të diellit ka kërkuar ndjesë se pse ndriçon aq fort në Tiranë. Pas fjalës së saj, ajo ka deklaruar se të rinjtë kanë mësuar shumë sot.

“Do falenderoj shumë panelistët dhe ndjesë për diellin e tepruar po ia keni dalë më së miri… Besoj se të rinjtë sot kanë mësuar disa gjëra të reja”, deklaroi ajo ndër të tjera. syri.net

Targat si simbol i hendekut mes Kosovës dhe Serbisë

Letrat ngjitëse të vendosura mbi simbolet shtetërore në një makinë me targa të Beogradit. Merdare, tetor 2021.

Sandra Cvetkoviq

Olliver Vujoviq, me prejardhje nga Prishtina, punon në Kosovë, por familja e tij jeton në Serbi. Kjo është arsyeja pse ai kalon pothuajse çdo fundjavë përmes pikës kufitare Kosovë-Serbi. Ai drejton një veturë me targa NI (Nishi, qytet në Serbi) dhe sa herë që hyn në territorin e Kosovës vendos në targa letrat ngjitëse të bardha mbi simbolet shtetërore.

Po ashtu, të gjithë ata që drejtojnë automjete me targa RKS (Republika e Kosovës) i mbulojnë simbolet shtetërore në targa, me letra ngjitëse të bardha, gjatë hyrjes në territorin e Serbisë.

Kjo është pjesë e marrëveshjes së përkohshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur me ndihmën e Bashkimit Evropian, më 30 shtator të vitit të kaluar, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

Dy javë para nënshkrimit të marrëveshjes, popullata shumicë serbe në veri të Kosovës, bllokoi rrugët që të çojnë në vendkalimin Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciproke ndaj Serbisë për targat.

Çfarë i parapriu?

Masat reciproke parashikuan marrjen e targave provuese gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, gjë që ka ndodhur që nga viti 2011 për qytetarët e Kosovës që kanë shkuar në Serbi.

Marrëveshja e përkohshme për targat duhet të zëvendësohet me një marrëveshje përfundimtare. Grupet punuese, të cilat janë formuar rreth gjashtë muaj më parë, me përfaqësues të Prishtinës, Beogradit dhe Bashkimit Evropian, më së voni deri më 21 prill duhet të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat, “bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së”.

Letrat ngjitëse apo targat provuese?

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL), Olliver Vujoviq thotë se ka qenë optimist se Kosova dhe Serbia do të gjejnë një zgjidhje kompromisi, por tani me afrimin e afatit për arritjen e marrëveshjes, nuk është i sigurt për një gjë të tillë.

“Kam frikë se pas skadimit [të afatit për arritjen e zgjidhjes përfundimtare], gjithçka do të kthehet në mënyrën e vjetër [me masa reciproke]”, thotë Vujoviq.

Për të, vendosja e letrave ngjitëse mbi simbolet në targa është ende një zgjidhje më e mirë sesa marrja e targave provuese.

Ndonëse kanë mbetur rreth dhjetë ditë deri në skadimin e këtij afati, opinioni ende nuk i di saktësisht propozimet për një zgjidhje të përhershme dhe as sa afër marrëveshjes janë të dyja palët.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tha se grupet punuese janë takuar më 7 prill dhe se duhet të arrihet urgjentisht një zgjidhje kompromisi për të përmirësuar lirinë e lëvizjes.

“Është përgjegjësi e të dyja palëve që të merren vesh për një zgjidhje”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Twitter.

Cilat ofertat janë në tavolinë?

Sipas burimeve diplomatike të Radios Evropa e Lirë, në Bruksel do të duhej të mbahej edhe një takim tjetër para datës 21 prill, kur skadon afati për arritjen e marrëveshjes përfundimtare për targat. Nëse deri atëherë nuk gjendet zgjidhje, Kosova mund të fillojë të aplikojë sërish masa reciprociteti ndaj Serbisë. Siç ka treguar praktika edhe më herët, një gjë e tillë mund të rrezikojë ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës, ku janë katër komuna të banuara me shumicë serbe.

Pala e Kosovës nuk dëshiron që të arrihet një zgjidhje tjetër e përkohshme. Sipas saj, mandati i grupit punues është gjetja e një zgjidhjeje të përhershme dhe jo një zgjidhje tjetër e përkohshme.

Sipas të njëjtave burime, “ka hapësirë për kompromis” dhe në tavolinë ka propozime që mund të jenë të pranueshme për të dyja palët.

Një zgjidhje mund të jetë njohja reciproke e targave të Kosovës dhe Serbisë.

Ka propozime dhe ide të tjera, për të cilat të dyja palët duhet të vendosin.

Burime diplomatike nga Brukseli, po ashtu bëjnë të ditur se pala kosovare “ka treguar gatishmëri për të pranuar disa nga propozimet”, por se pala e Beogradit ende nuk ka treguar qëndrim të qartë.

Çfarë i tha Kurti Lajçakut?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Lajçakun në margjinat e forumit ekonomik në Greqi, me të cilin ka biseduar edhe për çështjen e targave.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, të premten, më 8 prill, Kurti ka theksuar se afati për arritjen e zgjidhjes përfundimtare skadon për dy javë, por nuk janë specifikuar detajet për ecurinë e bisedimeve për këtë çështje.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjen se a është e afërt një marrëveshje përfundimtare për targa dhe cilat propozime janë diskutuar deri më tani, por deri në publikimin e këtij teksti nga ekzekutivi nuk kanë dhënë përgjigje.

Si u arrit zgjidhja e përkohshme

 

Për shkak të reciprocitetit për targat, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, u bllokuan për dy javë nga serbët lokalë.

Marrëveshja e përkohshme për targat, sipas së cilës me letra ngjitëse të bardha mbulohen simbolet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë, është arritur me qëllim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.

Më herët, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, ka vendosur masa reciproke ndaj Serbisë lidhur me targat. Kjo ishte arsyeja që serbët lokalë në veri të Kosovës bllokuan për dy javë rrugët për në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Në ato dy vendkalime gjatë gjithë kohës kanë qëndruar pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, ndërkaq që aeroplanët ushtarakë serbë disa herë kanë fluturuar mbi pikën kufitare në Jarinjë. Asokohe, Beogradi zyrtar tha se njësitet e Ushtrisë së Serbisë janë në gatishmëri të ngritur luftarake, në garnizonet e Rashkës dhe Novi Pazarit, afër kufirit me Kosovën.

Masat reciproke të Qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë, të 20 shtatorit të vitit të kaluar, nënkuptonin që të gjithë ata që drejtojnë vetura me targa të qyteteve nga Serbia, duhet t’i zëvendësojnë ato me targat provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro.

Deri atëherë, qytetarët e Kosovës, të cilët kishin targa RKS (Republika e Kosovës), përgjatë një dekade, kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave reciproke ndaj Serbisë përkoi me skadimin e targave KS (Kosova), neutrale ndaj statusit, me të cilat mund të shkohej në territorin e Serbisë pa targa provuese. Po ashtu, Qeveria e Kurtit njoftoi se qytetarëve në veri të Kosovës do t’u hiqen të gjitha targat KM (Mitrovica e Kosovës), të lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat janë të paligjshme për Kosovën.

Targat me akronimet e qyteteve në Kosovë, të lëshuara nga Serbia, në mjediset e banuara me serbë në jug të lumit Ibër, u hoqën në vitin 2011, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes. Këto janë targat PR (Prishtinë), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), GL (Gjilan) e kështu me radhë.

Por, në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gjatë gjithë kohës ka qenë e mundur ngasja e automjeteve me targa KM të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, gjë që ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit.

“Çështja e targave si burim i tensioneve”

Grupi i Ballkanit për Politika në Prishtinë, ka konkluduar se marrëveshja e përkohshme për targat nuk përmend në mënyrë eksplicite targat e lëshuara nga autoritetet serbe dhe të cilat ende përdoren në veri të Kosovës.

Kjo është publikuar në raportin për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, më 25 mars.

Tash për tash, regjimi i vendosjes së letrave ngjitëse të bardha vlen edhe për ato targa.

“Rrjedhimisht, disa argumentojnë se marrëveshja në mënyrë indirekte i ‘legalizon’ targa jolegale”, konkludon raporti, duke shtuar se “Qeveria e Kosovës duhet të bëjë përpjekje për të vendosur marrëveshje afatgjata me Serbinë, përndryshe çështja do të kthehet sërish në burim tensioni”.

“Tensionet nga barrikadat e vitit të kaluar nuk janë zbutur”, paralajmëron Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhëniet Etnike në Beograd. Rrjedhimisht, ai arrin në përfundimin se Prishtina dhe Beogradi nuk do të arrijnë një marrëveshje për targat.

*Video nga arkivi

Ai thekson se kryeministri i Kosovës, Kurti do t’i rikthehet “politikës së reciprocitetit” dhe shton se pala serbe nuk është e gatshme të arrijë marrëveshje në këtë moment, duke pasur parasysh se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare janë mbajtur më 3 prill dhe se tashmë do të pasojë formimi i Qeverisë së Serbisë.

“Ajo për të cilën është arritur pajtimi në shtator, për tabelat, është bërë në mënyrë manipuluese me ndihmën e Lajçakut dhe parashikohet saktësisht që letrat ngjitëse të hiqen më 21 prill. Kjo është një lojë, të cilën e luajtën në mënyrë interesante. Pra, pasi Beogradi nuk do të paraqitet në negociata, vetëm të ndodhë që letrat ngjitëse të hiqen sipas metodologjisë së re, e cila është shumë e rrezikshme, pra, metodologjisë së realitetit të ri. Dialogu, siç është zhvilluar deri më tash, është e pamundur të ripërtërihet”, thotë Janjiq.

Kosova dhe Serbia janë duke zhvilluar dialog për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve që nga viti 2011. Deri më tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar në terren.

Aktualisht, negociatat në nivel të lartë politik, udhëhiqen nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët u takuan vetëm dy herë vitin e kaluar, por nuk është bërë asnjë përparim.

Për këtë arsye Bashkimi Evropian ka vendosur që takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit të caktohet nga negociatorët në nivel teknik, gjegjësisht kur të jetë e sigurt se është i mundur një përparim.

Negociatorët kryesorë në nivelin e dialogut teknik janë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Surroi: Lufta në Ukrainë e shfaqi realisht Ballkanin Perëndimor si mjedis natyror të euro-atlantizmit

VOA

Publicisti dhe studiuesi i njohur nga Kosova, Veton Surroi, th se lufta në Ukrainë pritet të ndikojë ndjeshëm për integrimet euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse ky rajon u njëjtësua më qartë tani si një mjedis natyral i euro – atlantizmit.

Ai i bëri këto komente në Forumin e Politikës së Jashtme të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare “Sulmi rus mbi Ukrainën: Ndikimet për Ballkanin Perëndimor”.

Zoti Surroi pohoi se sulmi rus mbi Ukrainën po prish balancat mes Europës dhe Rusisë, se kjo është njëkohësisht luftë mes Rusisë dhe NATO-s dhe se kufiri i ri mes Europës dhe Azisë do të jetë kufiri euro-atlantik.

Zhvillimet e fundit, sipas zotit Surroi, e dëshmuan Ballkanin Perëndimor si mjedis natyror i euro-atlantizmit, ndaj edhe tani e tutje përfshirja në BE e vendeve të këtij rajoni do të jetë më e lehtë, edhe njohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së dhe 4 të NATO-s mund të ndodhë më shpejt, që të frenohen përdorimi i kësaj teme nga Rusia në rajon dhe t’i jepet fund idesë së shtete të papërfunduara.


“Një njeri i ulur në Kremlin si zoti Putin e sheh Ballkanin Perëndimor si pikën më të dobët të Europës Perëndimore, sepse kemi të bëjmë me një territor, i cili ende nuk është integruar brenda kësaj tërësie europiane dhe mund të prishë idetë e tërësisë. Rusi e ka provuar pëgjatë viteve Ballkanin Perëndimor si një poligon për testimin e politikave të veta” – tha zoti Surroi.

Analisti Surroi theksoi se sulmi rus mbi Ukrainën riktheu lidershipin amerikan në arenën botërore, solli një kohezion europian, një kohezion të ri në NATO-s dhe mundësi të reja anëtarësimi nga Europa veriore, e ndoshta një valë zgjerimi të NATO-s.

Ai shtoi se dukshëm ekziston rreziku që revizionizmi rus të gjejë terren të përshtatshëm në revizionizmin serb, ndërkohë që Ballkani Perëndimor mbetet i përfshirë nga traumat e luftërave të papërfunduara mes Serbisë dhe fqinjëve të saj.

“Nga e tërë kjo lëvizje “tektonike” ushtarake e politike rrezikojmë të kemi Serbinë si një enklavë euro-aziatike në Ballkanin Perëndimor. Ky është për mua rreziku më i madh, sepse aspiratat e gjithë popujve të tjerë janë tek integrimi euro-atlantik, por jo edhe të Serbisë. Në Serbi ende ekziston ideja se mund të jetohet edhe me Rusinë, ose ndoshta edhe më shumë me Rusinë, ose me përfaqësim të interesave të Rusisë në një rajon, i cili është Perëndim” – thotë zoti Surroi.

Studiuesi i njohur nga Kosova thotë se Rusia provokoi ngjarje që synojnë pasiguri energjitike, pasiguri ushqimore e financiare dhe pasiguri të ndërhyrjeve ushtarake.

Zoti Surroi tha se Rusia është përpjekur të ndikojë që edhe shtete që tashmë kanë hyrë në NATO si Mali i ZI, të trazohen nga grindje të luftës identitare, po ashtu është përpjekur të ndikojë që Bosnja dhe Kosova të mos funksionojnë si njësi shtetërore në gjithë territorin e tyre.

“Rusia ka patur një interes të përhershëm që veriu i Kosovës të mos integrohet në Kosovë. Me shumë pak investim logjistik, ndihmë Serbisë me veto në Këshillin e Sigurimit ka ndikuar që Bosnje-Hercegovina, Kosova të mbeten konflikte të papërfunduar dhe shtete të papërfunduara, e këto i përdor si analogji të shteteve pranë saj, për të justifikuar veprimet e veta atje” – tha zoti Surroi.

Lufta në Ukrainë është e pakthyeshme në status quo, theksoi zoti Surroi. Zhvillimet mund ta çojnë Rusinë shumë më thellë në Euro-Azi, shtoi ai, dhe kjo mund të sjellë një ndikim më të madh të Kinës në bashkësinë euro-aziatike.

Studiuesi nga Kosova tha se Rusia mund të shkojë drejt Kinës më lehtë se sa drejt Europës dhe në tërësi fundi i luftës në Ukrainë pritet të ketë ndikim të njëjtë ose më të madh se sa rënia e Murit të Berlinit, sepse nuk do të sjellë vetëm ripërcaktim i kufijve, por edhe shumë raporteve të tjera mes kombeve dhe aleancave.

Kurti dhe Escobar diskutojnë për ndikimin rus dhe rrezikun e konflikteve në Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka biseduar me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, lidhur me rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në rajon, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Kurti dhe Esobar, i cili njëherësh është edhe zëvendësndihmës sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, janë takuar në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit.

“U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit.

Edhe më herët Kurti, por edhe Bashkimi Evropian, kanë shprehur shqetësimin se konflikti në Ukrainë mund të zgjerohet edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim me Escobarin, Kurti ka rikthesuar edhe “domosdoshmërinë e integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian, për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kontinentin e Evropës”.

Kosova së fundmi ka rritur përpjekjet për integrimin drejt NATO-s. Në mars, Qeveria ka themeluar një grup punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në aleancën ushtarake që udhëhiqet nga SHBA-ja.

Escobar, ndërkaq, sipas njoftimit, ka thënë se Uashingtoni mbështet “synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.​ syri.net

‘Ke shkelur sakrificën e Kosovës’ Pozhari-Ramës: Ajo Serbi, ai Vuçiç, na kanë vrarë se jemi shqiptarë

Analisti nga Kosova Xhevdet Pozhari ka folur në Edicionin e Pasdites në SYRI TV me Armela Ferkon edhe për vijimin e projektit të Ballkanit të Hapur nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Pozhari ka dhënë një mesazh të ndjerë për Ramën, i cili është duke shkelur luftën e shenjtë për liri të shqiptarëve, në momentin që kryen marrëveshje kontraktuale me Serbinë pa pëlqimin e Kosovës.

Pozhari: Për tu kthyer te Ballkani i Hapur, tani zoti Rama ka kaluar dhe në atë situatë sa të thotë se unë jam kryeministër i Shqipërisë dhe ai i Kosovës dhe këtu ska çfarë ndikohet. Zotit Rama dua ti them përmes ekranit tuaj se neve, ajo Serbi, ai Vuçiç si pasues i Sheshelit, na kanë vrarë për shkakun se jemi shqiptarë. Pra ne gjithçka që kemi pësuar është se identiteti jonë është hiç më pak se i ndryshëm se sa zotit Rama dhe për identitin e të cilit në kohët e fundit jam edhe duke dyshuar sepse nëse ti hynë në marrëveshje kontraktuale të tilla me Serbinë pa pëlqimin e Kosovës, duke e ditur se është një dialog në pikëpyetje dhe problemi më së paku është ekonomik por është mbi të gjitha politik, atëherë ti je duke e shkelur atë që është e shenjtë pra sakrificën e Kosovës për të pasur lirinë e gëzon sot.

Rrjeti i Grave: Ngacmimi seksual formë e përhapur e diskriminimit në Kosovë

VOA/Edlira Bllaca

Një raport i publikuar të enjten nga Rrjeti i Grave të Kosovës, vë në pah se ngacmimi seksual është ndër format më të përhapura të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës.

Adelina Tërshani, nga ky rrjet, tha gjatë paraqitjes së raportit “Diskriminimi me bazë gjinore dhe punësimi në Kosovë”, se në bazë të të dhënave të këtij hulumtimi shqetësuese është shkalla e ulët e raportimit të kësaj dukurie.

“E lartë është përqindja e grave me 41 për qind dhe 35 për qind burra të cilët kanë menduar se këtë problem duhet ta trajtojnë vet. Përgjigje të tjera që kanë dhënë të anketuarit , janë edhe ta zëmë turpi që ndjejnë për të raportuar një formë të tillë të ngacmimit por edhe frika e humbjes së vendit të punës”, tha ajo.

Sipas këtij hulumtimi gjatë vitit 2021, 23 për qind e grave dhe 12 për qind e burrave kanë përjetuar diskriminim të çfarëdo lloji për shkak të gjinisë. Sidoqoftë, del se gratë kanë dy herë më shumë gjasa të përjetojnë këtë formë të diskriminimit sesa burrat.

Zonja Tërshani tha se format e tjera të diskriminit gjinor lidhen edhe me punësimin, pagat, ngritjet në detyrë dhe pushimet vjetore.

“Përafërsisht një në katër gra të anketuara që kanë marrë pjesë nëpër intervista pune, kanë besuar se nuk e kanë fituar vendin e punës për shkak të gjinisë. Gratë gjithashtu përballen me më shumë pyetje lidhur me gjendjen e tyre martesore, fëmijët, apo planet e tyre lidhur me këto dy gjëra”, tha zonja Tërshani.

AnnaCarin Platon, nga zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, tha se pabarazia gjinore në Kosovë është thelluar viteve të fundit.

“Në vitet e kaluara patëm edhe faktorë të jashtëm, siç ishte COVID-19, tani kemi edhe pasojat ekonomike të agresionit rus në Ukrainë, të cilat kanë ndikuar te gratë dhe fatkeqësisht do të ndikojnë edhe më tutje në kushtet e punës së grave. Pandemia ka rënduar shkeljet në vende të punës dhe kjo ka prekur posaçërisht gratë”, tha ajo.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se në zyrën e këtij institucioni gjatë vitit 2021 janë paraqitur 138 ankesa për diskriminim gjinor në vendin e punës.

“Bazuar në ankesat e parashtruara del se gratë janë në pozitë më të pafavorshme se burrat në fushën e punësimit dhe zhvillimit të karrierës. Diskriminimi gjinor është i pranishëm si në sektorin publik edhe në atë privat”, tha zoti Qelaj.

Agim Millaku nga Inspektorati i Punës, tha se sfidë në ndjekjen e këtyre shkeljeve në vendin e punës janë mundësitë e kufizuara të këtij institucioni. Numri i inspektorëve sipas tij ka rënë nga vitit në vit, nga 50 inspektorë sa ishin dikur, tani punojnë vetëm 33.

“Kapacitetet e Inspektoratit të Punës për momentin i kemi shumë të mangëta, si në kuptimin e organizimit administrativ por edhe në numrin e inspektorëve të punës, por pse të mos e pranojmë edhe në ngritjen e cilësisë së ushtrimit të mbikqyrjes së zbatimit të dispozitave ligjore”, tha ai.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave thonë se në Kosovë, pabarazia gjinore është pjesë e kulturës së përgjithshme dhe se vendi ende është larg arritjes së mundësive të barabarta për gratë dhe burrat qoftë në punësim apo në përfaqësim të tyre në pozita vendimmarrëse.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mirëpriti Ambasadoren e parë në Kosovë të Izraelit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani mirëpriti Ambasadoren e parë  të Izraelit në Kosovë, zonjën Tammy Ziv që i paraqiti letër kredencialet.

Presidentja e Kosovës e jep lajmin përmes një tweet-i në Twitter:

Sot mirëprita ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë @AmbTammyZiv .

Lidhjet tona historike shërbejnë si një bazë e madhe për të thelluar bashkëpunimin në një sërë sektorësh.

I urojmë suksese ambasadores në detyrën e saj!”

Myftiu Tërnava ua uron besimtarëve myslimanë Muajin e Ramazanit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar të premten, 1 prill, të gjithë besimtarët myslimanë për Muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Përmes agjërimit, besimtari mysliman synon të jetë më i devotshëm, më i përkushtuar, më i ndjeshëm, më racional, më human dhe më tolerant, në raport me vetveten, familjen, komunitetin dhe shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë Tërnava në një adresim për media.

Ai ka përmendur edhe luftën e Rusisë në Ukrainë, duke bërë thirrje që në këtë Muaj të Ramazanit të ketë sa më shumë lutje për paqe, qetësi dhe mirëkuptim.

Muaji i Ramazanit nis të shtunën, 2 prill dhe do të zgjasë 30 ditë.

Gjatë kësaj periudhe, besimtarët myslimanë përmbahen nga ngrënia dhe pirja që nga lindja e Diellit deri në perëndim, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit. rel


Send this to a friend