VOAL

VOAL

Qeveria e Kosovës pas kërkesës amerikane shtynë zbatimin e vendimit për reciprocitetin

VOA

Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Vendimi u publikua pak kohë pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. “Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë,

Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. “Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”.

Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj. BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Zoti Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj Ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, shkroi ai.

Policia e Kosovës tha të dielën se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, nga e hëna më 1 gusht duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.

Në orët e vona të mbrëmjes presidenti serb tha se i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.

Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.

Kurti i cilëson nxitëse deklaratat e Petkoviqit për Asociacionin

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se deklaratat e bëra nga drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, janë deklarata nxitëse dhe nuk i kontribuojnë ligjit dhe shtetit të Kosovës.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi më 30 korrik se përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës do të nisin me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se kjo do të jetë përgjigja nëse Kosova nuk heq dorë nga vendimi për zëvendësimin e targave serbe dhe reciprocitetin mbi dokumentet e identifikimit të Serbisë.

Gjatë konferencës për media në Prishtinë më 31 korrik, Kurti tha se qytetarët serbë në Kosovë nuk po i kërkojnë që ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin, që Kosova dhe Serbia kanë arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka thënë qëndrimin e qartë Gjykata Kushtetuese, peticioni i qytetarëve dhe në anën tjetër, në zyrën time, ajo çfarë mund t’iu them, nuk ekziston asnjë letër e asnjë qytetari serb të Kosovës që thotë ‘zbatoje Asociacionin’. Asnjë. Për çdo javë marr letra nga qytetarët serbë, por asnjëra nuk është për Asociacionin. Unë ju përgjigjem qytetarëve të Republikës së Kosovës. Andaj besoj që duhet ta kemi parasysh se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nga dhjetori i vitit 2015, por gjithashtu edhe interesi publik i yni, nuk e imponon me domosdoshmërinë destabilizuese të Beogradit temën e këtillë në Kosovë”, tha Kurti.

Kosova dhe Serbia më 2013 kanë arritur Marrëveshjen fillestare për Asociacionin, ndërkaq më 2015 palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociaicionit.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese gjeti se 23 pika të marrëveshjes ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, që tha se mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Serbia insiston që të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, ndërkaq kryeministri Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Kurti: Reciprociteti për dokumentet dhe targat serbe, në respektim të ligjit

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi i Qeverisë që ai udhëheq që kërkon që të gjithë personat që kanë dokumente identifikimi të lëshuara nga Serbia të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje, që do të lëshohet nga Kosova, është mënyrë për të mbrojtur serbët nga veprimet diskriminuese.

Më 1 gusht, përveç lëshimit të të ashtuquajturit dokument për hyrje-dalje do të nisë edhe riregjistrimi i makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, tha se vendimi i 29 qershorit i Qeverisë së Kosovës, nuk duhet të shihet ndryshe përmes si “përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave, të drejtave tuaj, si nënshtetas të Republikës së Kosovës”.

“Kjo që po fillojmë ne tani më 1 gusht, Serbia ka filluar ta zbatojë para 11 vjetësh. Ne do të jemi në dispozicion duke dëshmuar që çdo veprim i yni është vetëm respektimi i ligjit i cili si i tillë, trajton secilin dhe të gjithë njësoj”, tha Kurti.

Ekzekutivi kosovar më herët ka njoftuar se dokumenti për hyrje-dalje do të lëshohet në të gjitha pikatkalimet tokësore dhe ajrore dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Ndërkaq, sa i përket riregjistirmit të makinave, të gjithë pronarët e makinave me targa me emrat e qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, mund t’i regjistrojnë me RKS (Republika e Kosovës). Targat me akronime të qyteteve të Kosovës konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, kanë arritur një marrëveshje për këtë çështje, por e njëjta nuk është zbatuar asnjëherë në përpikëri.

Te Dheu i Bardhë, Merdare e Muçibabë – radhë të gjata 800 metra e pritje mbi 1 orë

Janë rikthyer kolonat nëpër kufijtë e Kosovës. Në disa pika kufitare, radhët kanë arritur deri në 300 metra, e pritjet po zgjasin mbi 1 orë, raporton Express.

Gjendja më e rënduar është te pika kufitare në Muçibabë. Pritjet për të hyrë janë nga 40-45 minuta, e për të dalë 1 orë. Radha në hyrje është 100 metra, e në dalje 800.

Radha ka edhe te Dheu i Bardhë. 30-40 duhet të prisni për të hyrë nga kjo pikë, e për të dalë 45-50 minuta. Radhët në hyrje janë 200-300 metra, e në dalje 300-350.

Pritje dhe radhë ka edhe në Merdare, por jo si zakonisht. 10-15 minuta janë pritjet për të hyrë,  15-20 për të dalë. Radha në hyrje 70 metra, e në dalje 50.

Në pikat e tjera pritjet po zgjasin nga 3 deri 10 minuta, por s’ka kolona.

Tur katërditor në Ballkan, Kryeministri spanjoll do vizitojë edhe Tiranën e Prishtinën

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez do të vizitojë Tiranën gjatë ditëve të fundit. Vizitën katër ditore në vendet e Ballkanit Perëndimor Sanchez e nis me Beogradin ku do të qëndrojë dy ditë.

Më pas ai do të vizitojë Sarajevën, Mostarin, Podgoricën, Shkupin dhe Tiranën, sipas Euronews Serbia.

Mediet në Kosovë shkruajnë se Sanchez nuk do të vizitojë edhe Prishtinën. Kujtojmë se Kosova nuk njihet ende nga Spanja.

Në takimin e liderëve të BE-së në Bruksel në fund të qershorit, Sanchez vendosi të “riaktivizojë, ringjallë dhe rigjallërojë procesin e zgjerimit” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fokus do të jetë edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian.

/Gazeta Express

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me MCC-në

RFE/RL

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten marrëveshjen për Programin Kompakt, i cili pritet të forcojë pavarësinë energjetike të Kosovës.

Projektligji për marrëveshjen është miratuar me 89 vota në Kuvend.

Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvend me dy të tretat e votave.

Kjo marrëveshje e miratuar, është nënshkruar të mërkurën në Uashington nga ministrja e Ekonomisë në Kosovë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha ekzekutive e Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Vlera e përgjithshme e Programit Kompakt është 236.7 milionë dollarë dhe përqendrohet në projekte të energjisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, teksa e ka prezantuar projektligjin në Kuvend, ka thënë se marrëveshja siguron “grantin më të madh të njëhershëm në historinë e Kosovës së pasluftës”.

“Përmes këtij projekti, po rreshtohemi drejt dekarbonizimit të energjisë, duke ndjekur shembullin e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe duke i hapur Kosovës rrugën drejt integrimit euro-atlantik”, ka thënë Bislimi.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me nënshkrimin e Programit Kompakt, rikonfirmohet gatishmëria e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Kosovën që të avancojë ekonomikisht dhe të ketë zhvillim të qëndrueshëm.

Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë qenë të pranishëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Çfarë parasheh marrëveshja?

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milion njerëz pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë.

Gjykata Speciale ja pse ia zgjat paraburgimin Veselit

Prokuroria e Specializuar në Hagë e konsideron kriminel ish-kryepalamentarin Kadri Veseli. Gjykatësi Nicolas Guillou i konsideron goxha të bazuara këto pretendime dhe të martën vendosi t’ia zgjaste paraburgimin Veselit.

Gazeta Express

Gjykata Speciale konsideron se ka ende arsye për ta mbajtur Kadri Veselin në paraburgim. Në vendimin e fundit, Specialja e pa të nevojshëm mbajtjen e Veselit në paraburgim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se në vendimin e konfirmimit ishte konstatuar se në bazë të nenit 39(2) të Ligjit ekziston një bazë e mirë dyshimi se Z. Veseli është penalisht përgjegjës për një sërë krimesh kundër njerëzimit (persekutim, burgim, akte të tjera çnjerëzore, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë) dhe krime të luftës (paraburgimi arbitrar, trajtimi mizor, tortura dhe vrasje) sipas neneve 13, 14(1)(c) dhe 16(1)(a) të ligjit.Për më tepër, një dyshim i bazuar është krijuar edhe në lidhje me akuzat e reja të ngritura nga ZPS kundër Z. Veseli me të kërkuar ndryshime në aktakuzë. Këto konstatime janë bërë në bazë të një standardi që tejkalon pragun e dyshimit të bazuar që kërkohet”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e këtij vendimi.

Gjykatësi Guillou konstaton se ka më pak siguri dhe më shumë mundësi për rrezik nga një lirim i mundshëm i përkohshëm i Kadri Veselit.

Specialja vlerëson se Veseli do të mund të arratisej nëse do të lirohej, pasi në vendim thuhet se ai “është në dijeni për mundësinë e një dënimi të madh”.

“Pas shqyrtimit të faktorëve dhe rrethanave të përmendura në vendime, duke shqyrtuar paraburgimin e Z. Veseli, gjyqtari i procedurës paraprake mbetet i bindur se ato vazhdojnë të ekzistojnë. Në veçanti, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se Z. Veseli është vënë në dijeni për akuzat ndaj tij dhe mundësinë e një të dënimi të rëndë në rast të dënimit”, thuhet në vendim.

Nga funksionet e tij të mëparshme, Specialja thotë se Veseli mund t’iu shmanget procedurave të gjykatës. Për shembull, përmendet se ai mund të marr fonde nga struktura të ish-UÇK-së dhe të ikë jashtë vendit.

“Z. Veseli ka një aftësi të demonstruar për t’u dhënë udhëzime të përfshirëve me ndërhyrje të mundshme kundër dëshmitarëve të ZPS-së”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Guillou sheh edhe një klimë të frikësimit të dëshmitarëve në Kosovë, dhe në vendim thotë se kjo “është vërtetuar në aktgjykimin gjyqësor Gucati dhe Haradinaj”.

Kjo është hera e pestë që Gjykata Speciale e refuzon kërkesën e avokatëve për lirimin e përkohshëm me kusht të Kadri Veselit.

Kompania britanike merr licencë për kërkimin e arit në Kosovë

Kompania britanike Ariana Resources PLC, ka fituar licencë për kërkimin e arit në Kosovë, përkatësisht në fshatin Herticë, shkruan proactive.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe drejtori menaxhues i kompanisë, Kerim Sener.

“Shtimi i projektit me shumë perspektivë të Herticës në portofolin e Tethyan-it Perëndimor është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e gazsjellësit tonë hulumtues në Kosovë,” tha Dr. Kerim Sener, drejtor menaxhues i Ariana Resources.

Licenca e kërkimit në Herticë mbulon 58 kilometra katrorë dhe shtrihet në pjesën verilindore të Kosovës në një zonë me shumë perspektivë, shkruan proactive.

Pse kaq shumë ‘frikë’ nga Berisha?! – Nga Melihate Tërmkolli

Pas DASH-it, edhe Home Office e Britanisë së Madhe e shpalli person ‘non grata’ Sali Berishën, Kryetarin e PD-së së Shqipërisë. Nuk është pa rëndësi fakti që kjo ndodhi në kohën kur ajo është pa Kryeministër ose me Kryeministër në dorëheqje.

Pse kaq shumë frikë nga Berisha, pse kaq shumë frikë nga ‘ i përtejbotshmi’?!

Ҫ’ka ndodhi tani, kur pas nëntë vitesh të tërheqjes së tij nga jeta aktive politike dhe rikthimit si Kryetar i PD-së, i opozitës, vie shpallja e tij ‘non grata’ me akuza për krim e korrupsion?!.

Po të jetë vërtetë për krimin e korrupsionin, në Shqipëri ka me tonelata nga pushteti aktual në krye me Edi Ramën dhe në këtë mes, Berisha do të duhej të ishte i fundit për shqyrtim. Shqiptarët e kanë parë për më se 9 vite kush është në krye të krimit e korrupsionit në Shqipëri si dhe kush po i përkrahë të tillët, ndërsa ata vetë po e paguajnë shtrenjtë edhe me jetën e tyre.

Përndryshe po të jetë për krime, në listën e non gratave madje edhe në gjykata ndërkombëtare duhet të ishin shumë e shumë nga ata që janë amnistuar nga këto krime, në radhë të parë Vuçiq. Këtë nuk e bëri askush. Përkundrazi, ai është i favorizuar në çdo fushë jo vetëm për të kaluarën e tij kriminale dhe si pjesëmarrës i politikave gjenocidale kundër shqiptarëve e të tjerëve por edhe për të tashmen e tij po aq kriminale dhe anti perëndimore, në lidhje të ngushta me Rusinë si asnjëherë tjetër, kërcënimi dhe rreziku më i madh potencial jo vetëm për Kosovën por edhe më gjerë.

Në këtë pjesë të Evropës, zhvendosja e problemit te Sali Berisha, është tepër tragjike për të qenë komike, edhe po të jenë akuzat ndaj tij tërësisht të vërteta.

Po shihet se kjo tashmë nuk ka të bëjë me Berishën, por me shqiptarët. Me Kosovën, në radhë të parë. Berisha kundërshton fuqishëm dy çështje madhore për kombin: shkëmbimet territoriale mes Kosovës e Serbisë të sponsorizuara nga politika sorosiane dhe projektin ruso-serb, po aq edhe sorosian, ‘Open Balkans’.

Prandaj është shumë shqetësuese kjo çfarë po ndodhë, jo vetëm për vetë Sali Berishën por për shkak të shqiptarëve në tërësi dhe mesazhit që po u jepet atyre përmes Sali Berishës ‘non grata’.

Mesazhi që po u dërgohet shqiptarëve është një Marrëveshje mes Kosovës e Serbisë sipas kërkesave dhe interesave të Serbisë dhe futja e Kosovës edhe në ‘Open Balkans’ ose në ‘Jugosllavinë e re’. Se këto nuk janë interes i Kosovës dhe shqiptarëve është e qartë, por se mund të jenë të pranueshme për miqtë tanë më të mëdhenj, mbetet e paqartë. U provua me dy Jugosllavi, dhe u shkatërruan e i shkatërruan. Ҫ’duhet një e tretë, eksperiment edhe më fatal, për të gjithë, është e pakuptueshme. S’mund ta kapërdijnë miqtë tanë këtë kurth sorosian me emrin ‘Ballkani i hapur’ që s’është tjetër veçse ‘Jugosllavia e tretë’ ose ‘Bota serbe’!

Nga kjo prizmë pra, nuk është problemi te kriminaliteti por te autoriteti i Berishës që ai ka në shumicë ndër shqiptarët, e që mund ta kthejë atë në pushtet.

Pyetja më normale është, pse do të duhej ta pengonte dikë një pushtet që fitohet me votë, aq më tepër miqtë tanë kampionë të lirisë e demokracisë ?!.

Pse atëherë kaq shumë frikë nga Berisha?!

Në këtë mes ka vetëm një shpjegim.

Sali Berisha me politikën e tij e prishë projektin dhe strukturën politike sorosiane në Shqipëri dhe në Ballkan. Zgjedhja e tij tani Kryetar i PD-së dhe përkrahja në masë e shqiptarëve i ka alarmuar qarqet sorosiane deri në ankth. Frika e tyre është rikthimi i politikave kombëtare në Shqipëri e te shqiptarët kudo, piemont i të cilave konsiderohet Sali Berisha.

Sorosianët dhe qarqet politike të ndikuara e të lidhura me të, i ka tmerruar ky fakt deri në shpërfytyrim. Soros dhe kozmopolitanët shqiptarë të sponsorizuar nga ai, të ‘shoqërisë së hapur’ apo ‘Ballkanit të hapur’, që nuk njohin komb, shtet, fe e atdhe, janë në gjendje të bëjnë çdo gjë për ta ndalë rikthimin e frymës politike kombëtare te shqiptarët. Fitorja e kësaj fryme, i zhveshë ata jo vetëm nga pushteti por ua prishë edhe planet e projektet antishqiptare.

Në fakt, sa më shumë i bien këtij teli kundër Sali Berishës, aq më shumë e rrisin këtë frymë si kundërvënia më e natyrshme e një populli ndaj politikave që kanë prekë deri në palcë qenien, kombin, shtetin e shoqërinë shqiptare.

Për korrektësi, sado që të jetë i madh roli dhe ndikimi i tij, nuk është Soros në vetevete problemi për shqiptarët. Turpi i madh dhe e keqja buron nga një kastë, një racë politikanësh shqiptarë në tërë hapësirën politike e gjeografike shqiptare, të prirë nga Edi Rama, të etur për t’u dukur protagonistë dhe ‘të mëdhenj’ para botës, përderisa ‘madhështia’ e tyre matet me vartësinë ndaj Serbisë e Vuçiqit, me të qenët rob i interesave të huaja, sorosiane apo tjera.

Meta nderohet me “Çelësin e Prishtinës” nga kryebashkiaku Përparim Rama: Do ta ruaj me shumë krenari

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me krybashkiakun e Prishtinës, Përparim Ramën, vend që e cilëson si shtëpinë e tij të dytë.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Meta tregoi se kishte marrë ‘Çelësin e Prishtinës’ një dhuratë që e nderoi thellësisht.

MESAZHI I METES
🇦🇱❤️🇽🇰 Prishtinën e kam konsideruar gjithmonë shtëpinë time të dytë. Ndaj nuk mund ta fsheh emocionin teksa pranoj me përulje “Çelësin e Prishtinës”🔑, që më nderon thellësisht dhe që do ta ruaj me shumë krenari.
Mirënjohës Kryebashkiakut Përparim Rama!
I impresionuar nga vizioni i tij largpamës për transformimin modern të kryeqytetit të Kosovës dhe mezi pres realizimin me sukses të projekteve të tij ambicioze. bw

Vetëm dy policë hetojnë përdhunimet e kohës së luftës

Monumenti “Heroinat” në Prishtinë, dedikuar të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Arton Konushevci

Ndër krimet më të mëdha të kohës së luftës, Kosova i heton me dy policë – më shumë kapacitete nuk ka.

Aktualisht, janë 78 raste të raportuara në polici për dhunë seksuale në luftë – gjashtë prej tyre të paraqitura këtë vit.

Shifrat e sakta nuk dihen, por llogaritet se numri i përgjithshëm i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë sillet në rreth 20.000.

“Aktualisht, në Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës janë të caktuara dy hetuese, të cilat hetojnë dhe dokumentojnë rastet e dhunës seksuale/dhunimeve gjatë luftës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Aty bëhet e ditur se kjo njësi është e centralizuar, që do të thotë se mbulon të gjitha rajonet e Kosovës, por detaje të tjera nuk jepen.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se Kosova, aktualisht, “nuk ka kapacitete të mjaftueshme për adresimin e krimeve të luftës brenda sistemit të drejtësisë”, por zotohen se prioritet i tyre mbetet “shtimi i këtyre kapaciteteve”.

“Numri i hetuesve policorë, por edhe i prokurorëve dhe gjykatësve për hetimin dhe adresimin e rasteve, të cilat cilësohen si krime të luftës apo krime ndaj popullatës civile, është i pamjaftueshëm”, thotë MD-ja në një deklaratë për REL-in.

Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë në proces mbi 1.250 raste të krimeve të luftës, përfshirë 50 raste të dhunës seksuale.

Nga ky institucion thonë se trajtimi i lëndëve bëhet “me përkushtim”, por zvarritjet në trajtimin e rasteve, sipas tyre, lidhen me mbledhjen e ngadalshme të dëshmive nga policia hetuese në terren.

Tahiri-Sulimani: Për gati tre vjet, asnjë informacion nga drejtësia

Shyhrete Tahiri-Sulimani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ngritur kallëzim penal për rastin e saj qysh në tetor të vitit 2019.

Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga ajo kohë, Tahiri-Sulimani thotë se nuk ka asnjë informacion nga sistemi i drejtësisë.

“Asnjë gjë nuk ka ndryshuar, njëjtë… Por, e kam ndërmend që aty ku jetoj, në Perëndim, ta paraqes rastin”, thotë Tahiri-Sulimani për REL-in.

Ajo është gruaja e dytë në Kosovë, pas Vasfije Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shpesh është bërë zë i këtyre viktimave, thotë se është e domosdoshme që të rritet numri i stafit si tek organet e rendit, ashtu edhe tek ato të drejtësisë, që merren me këto raste.

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës.

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës.

“Nuk e di se si janë të rregulluara çështjet brenda sistemit në polici, por, në aspektin e përgjithshëm, mendoj se dy zyrtarë [policorë] janë nën minimumin e së nevojshmes për adresimin e këtyre rasteve”, thotë Jahjaga për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi 23 vjet nga përfundimi i luftës, 14 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është dashur të ketë kapacitete shumë më të mëdha sa i përket adresimit të krimeve të luftës, por veçanërisht të dhunës seksuale, që është përdorur si mjet lufte nga forcat serbe në Kosovë”, thotë ajo.

Vetëm një i dënuar për dhunë seksuale në luftë

Mbi dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë kanë dënuar vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale në luftë.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim.

Me hetimin e rasteve të dhunës seksuale në luftë është marrë fillimisht Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, i cili, në vitin 2018, kompetencat i ka dorëzuar tek institucionet vendore.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky mision thotë se, në total, “ka trajtuar 25 raste të dhunimeve si krime të luftës”.

“Disa prej këtyre rasteve janë duke u hetuar ende, disa janë pushuar, kurse disa janë dërguar për gjykim”, thotë EULEX-i.

Në vitin 2014, Kosova ka miratuar një ligj për t’iu njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale të luftës personave të përdhunuar.

Komisioni qeveritar që punon në këtë drejtim, ka nisur punën në vitin 2018, dhe që nga ajo kohë, më shumë se 1.000 persona kanë arritur ta sigurojnë këtë status – marrë parasysh se ata duhet të sigurojnë një numër provash që dëshmojnë se kanë qenë viktima të përdhunimit në luftë.

Linda Sada udhëheq organizatën joqeveritare “Medica Gjakova”, përmes së cilës, viktimat e dhunës seksuale mund të aplikojnë për njohje të statusit të tyre.

Sada thotë se organizata e saj është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për rastet e viktimave të përdhunimit dhe shton se “është e pakuptimtë” që vetëm dy policë të merren me hetime.

“Absolutisht nuk ka kuptim. Edhe numri i prokurorëve, edhe i policëve është shumë i vogël”, thotë ajo.

Me krimet e kohës së luftës në Kosovë, aktualisht, merren katër prokurorë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se kanë ndarë buxhet për shtimin e kapaciteteve me prokurorë dhe shprehin bindjen se ata do të mund të bëjnë më shumë në “sjelljen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës”.

Deri atëherë, efektet e vazhdueshme të dhunës seksuale, por edhe të krimeve të tjera do të vazhdojnë të mbeten plagë edhe më të hapura për viktimat.

Mbi 1.9 milion euro fizibiliteti i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë

RFE/RL

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt-idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë seancës së 21 korrikut bëri të ditur se kostoja totale për realizmin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë mbi 1.9 milion euro.

Për këtë projekt, ministri Aliu tha se nga buxheti i Kosovës do të ndahen 980 mijë euro, ndërkaq nga buxheti i Shqipërisë do të ndahen 1 milion euro.

“Aktualisht, jemi në një fazë që mund të realizojmë projektin dhe të hapim mundësinë e krijimit të kësaj linje, e cila pastaj mund të shoqërohet me shumë projekte tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor, e që Prishtina do të ishte qendër e kryesore e shpërndarjes së këtyre mallrave”, tha Aliu.

Realizmi i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë do të mundësonte nisjen e projektit tjetër, që është ndërtimi i dy porteve të reja tregtare: Porto Romano në Durrës dhe Porti i Thatë në Prishtinë.

Ky projekt ishte prezantuar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila është mbajtur më 20 qershor në Prishtinë.

Sipas prezantimit të bërë nga Eric Smit, drejtor i kompanisë holandeze “Royal Haskoning”, e cila e ka bërë projektin, Porti i Thatë në Prishtinë do të shfrytëzohej për zhdoganimin e mallrave, gjë që do ta lehtësonte pastaj ngarkesën në portin detar të Durrësit.

Projekti i investimit në Porto Romano llogaritet se do të ketë ndikim pozitiv në bruto prodhimin e brendshëm të Shqipërisë, nga 3 për qind deri në 6 për qind, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë.

Prishtinës pritet t’i shtohen edhe 31 autobusë, ka edhe elektronikë

Kryeqytetit do t’i shtohen edhe 31 autobusë të rinj, disa prej tyre elektronik, me të cilët pritet edhe shtimi i linjave të reja. E derisa paralajmërohet ngritja e çmimeve të biletave për 10 cent më shumë, në komunën e Prishtinës, thonë se rritja e çmimit është kërkesë e BERZH-it, që vije si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se në muajin shtator do të fillojë procedura për flotën e re që parasheh ardhjen e 31 autobusëve. Ai gjithashtu shtoi se do të këtë 6-8 autobusë elektrik, që do të mundësojnë linja të reja.

“Prej këtyre 31 autobusëve së fundmi ne kemi bërë një ndryshim prej kërkesës me qëllim se brenda flotës të kemi edhe minibus. Qëllimi është që këta minibusit të funksionojnë në zonat rurale, periferike, ku kemi më shumë kërkesa prej qytetarëve, por në të njëjtën kohë ka shumë mundësi dhe potencial të shtohen linja të reja. Me autobusët e flotës aktuale është e pamundur thuaje me operu, kjo është arsyeja që kemi bërë kërkesë që të këtë edhe minibus. Gjithashtu, brenda flotës se re do të këtë 6-8, autobusë elektrik të cilën do të shfrytëzohen në këtë zonë, në zonën e unazës qendrore, e cila parashihet të implementohet, andaj para se të fillojë në shtator procedurat, ne prej BERZH-it, kemi pasur takime, diskutime, ku kemi dy kërkesa. Kërkesa e parë ka të bëjë me themelimin e një kontrate të re me një operator privat, pra prej një operatore privat, në formatin e njëjtë qysh e kemi trafikun urban , pagesë për kilometër”, ka deklaruar ai për KosovaPress.

Musliu tregoi se kanë bëre kalkulime në lidhje me çmimet e biletave dhe kanë dalë me rezultate që është e pamundur të operojnë me çmimin aktual të derivateve, pasi brenda kërkesës së BERZH-it, është argumentuar që ata kërkojnë stabilitet financiar. Prandaj në shtator pritet të këtë rritje të çmimit të biletës për udhëtarët për 10 cent, ku çmimi do të jetë nga 40 cent në 50 cent.

“Kërkesa e dytë është shtrenjtimi i biletës prej 40 cent në 50 cent, e që realisht kjo kërkesa e dytë është më e ndjeshme, për faktin që jemi duke u ballafaquar me një ngritje të lartë çmimeve dhe më një krizë, mirëpo këto janë edhe arsyet pse BERZH-i ka kërkuar të këtë edhe një ngritje të çmimit të biletës. Mos të harrojmë, ne ende e kemi një biznes plan të cilin BERZH-i, në koordinim me trafikun urban dhe komunën kanë punuar me ardhjen e flotës të parë që aty është paraparë, siç ka qenë atëherë gjendja diku më pak se 1 euro shpenzimi për litër, pra të derivateve dhe ky zë i shpenzimeve është dyfishuar. kjo është arsyeja që çmimi i naftës më u rrit”, vijojë Musliu.

Ai theksoi se qytetarët po ballafaqohen me një ngritje të çmimeve kudo, andaj shpreson të këtë mirëkuptimin e tyre. Ndërsa, tregoi për KosovaPress që procedurat për autobusët e rinj do të fillojnë në shtator të këtij viti.

“Ne procedurat do t’i fillojmë në shtator, pastaj procedura ka disa afate kohore të cilat janë të parapamë me ligj, andaj jo shumë shpejtë mundemi të pranojmë flotën e re, mirëpo do të këtë koordinim në mes të unazës qendrore dhe autobusëve elektrik, të cilët është paraparë me operu brenda kësaj unaze. Kjo taskforca është e njëjta e cila punon edhe për trafikun dhe mobilitetin dhe të gjitha ndryshimet e unazës në trafik, andaj do të këtë harmonizim të vendimeve me qëllim të kemi autobusë me operu edhe unaza dhe në të njëjtën kohë këto dy shërbime të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me ardhjen e autobusëve të rinj, do të këtë biletë të integruar, biletë javore, mujore si dhe vjetore, ku do të jetë një kompani përgjegjëse vetëm për transportin publik.

Ndërkohë, për unazën qarkore Musliu theksoi së në shtator do të bëhët testimi i tretë, që do të jetë në ditë punë, ku parashihet të jetë testimi final para implementimit.

“Ne mendojmë në shtator ta kemi gjithsesi testin e radhës, nuk po dëshirojmë në muajt korrik dhe gusht për shkak të sezonës, për shkak të manifestit, Sunny Hilli-it. Gjithashtu kemi edhe shumë ngjarje të tjera të cilat janë të paraparë në kryeqytet në këto dy muaj, korrik dhe gusht, andaj kemi vendosur që në shtator të kemi testin e radhës, testi i radhës do të jetë në ditë të punës, ndoshta do të jetë i gjatë më shumë se dy ditë dhe do të jetë testi i fundit para së të lëshojmë implementimin e unazës”, tha Musliu.

/KosovaPress/

Sveçla: Kosova nuk ka luftëtarë në Ukrainë

RFE/RL

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka mohuar çdo mundësi që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë bërë pjesë e luftës në Ukrainë, ashtu siç pretendon Moska zyrtare. Minsitri Sveçla tha për Radio Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë informacion që ndonjë qytetar i Kosovës të jetë duke luftuar si mercenarë në luftën në mes Ukrainës dhe Rusisë, që filloi me 24 shkurt të këtij viti.

Që nga kjo datë, Rusia ka publikuar në disa raste të dhëna për numrin e mercenarëve që sipas saj janë rreshtuar krah forcave ukrainase.

Më 17 qershor, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, publikoi një listë në të cilën pretendon se që nga 24 shkurti, 156 qytetarë nga Kosova i janë bashkuar luftimeve në Ukrainë.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës është pjesë e luftës në Ukrainë e për më pak se edhe paskemi viktima nën ta, ashtu siç paskan pas deklaruar agjencitë e [Vladimir] Putinit”, tha ministri Sveçla.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë me tej pretendon se ka eliminuar 61 luftëtarë nga Kosova nga data 24 shkurt e deri më 17 qershor 2022.

Por, të gjitha këto informacione, sipas ministrit Sveçla, janë propagandë.

“Kjo është në kuadër të propagandës së vazhdueshme të Rusisë me qëllim që të arsyetojë agresionin e saj të padrejtë dhe të paprovokuar në Ukrainë, por edhe që të mobilizojë radhët e veta dhe mbështetësit e saj kundër vendeve demokratike, liridashëse ndër të cilat është edhe Republika e Kosovës”, tha Sveçla.

Ministria ruse e Mbrojtjes, siç raportuan mediat ruse, edhe gjatë korrikut ka publikuar një listë të tillë me shifra të njëjta.

Ministri Sveçla tha se Kosova ka ligj të veçantë përmes së cilit ndalohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftëra jashtë vendit.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kosova është përmendur disa herë nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, si dhe ministri i jashtëm, Sergei Lavrov.

Lufta në Ukrainë filloi me 24 shkurt kur presidenti rus Putin urdhëroi trupat ushtarake që të futën në territorin ukrainas. Që nga ajo kohë Rusia pretendon se luftës i janë bashkuar rreth shtatëmijë mercenarë të huaj.

Kosova është bërë pjesë e dënimit të pushtimit rus të Ukrainës si dhe është rreshtuar krah shteteve perëndimore duke vendosur sanksione ndaj zyrtarëve dhe shtetit të Rusisë.

Sulmohet Policia e Kosovës në veri, pesë policë të lënduar

Teksa zyrtarët e Policisë së Kosovës po tentonin të ndalonin një kamion të dyshuar për kontrabandim mallrash, policia u pengua nga automjete civile në fshatin Jashanicë të Leposaviqit. Siç njofton policia, transmeton Express, kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur dy herë një veturë zyrtare policore. Si pasojë janë lënduar pesë zyrtarë policorë dhe është dëmtuar automjeti i policisë.

Tutje, në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

“Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke edhe përdorur armën zyrtare”, njofton policia.

“Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).

Në lidhje me rastin është njoftuar  prokurori kujdestar dhe sipas urdhrit të tij, personi i dyshuar A.D, është dërguar në mbajtje dhe iniciohen rastet për ‘Kalim i Kufirit Ilegal’, ‘Kontrabandim Me Mallra’, dhe ‘Sulm ndaj Personit Zyrtar’. Personi i dyshuar U. R, (2002), vozitës i veturës lirohet në procedurë të rregullt ndërsa malli i kontrabanduar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme”, njofton policia.

Nga veprimet jo ligjore dhe me rrezikshmëri të lartë të dyshuarit, janë lënduar pesë zyrtarë policorë të cilët kanë marrë trajtim mjekësor si dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia e Kosovës, respektivisht Departamenti për Kufi, në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike në parandalimin dhe luftimin e krimit, kontrabandës dhe dukurive tjera kriminale ndërkufitare, më datë 16.07.2022 në orët e mbrëmjes, në fshatin Jashanicë, Komuna e Leposaviqit, përderisa zyrtarët policorë të kufirit kanë vërejtur një kamion i cili dyshohej për kontrabandim mallrash, gjatë tentimit për ta ndaluar të njëjtin, zyrtarët policorë janë penguar nga dy automjete civile.

Njësitë e Ndërhyrjes së Shpejt të Policisë Kufitare në asistencë të  njësisë së Inteligjencës, në tentim për ta ndaluar kamionin i cili dyshohet qe kishte mall të kontrabanduar, i cili ishte duke lëvizur në drejtim të Magjistrales Mitrovice-Jarinjë, kanë bërë bllokimin e pjesshëm të rrugës, me dy vetura policore, me drita rotative të ndezura, me qëllim të sinjalizimit me kohë, për vozitësin e kamionit për tu ndaluar. Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar  një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj  dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur  një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për tu ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen.

Zyrtarët policorë me qëllim të ruajtjes së jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik, ruajtjes së pronës si dhe zbatimit të ligjshmërisë kanë vazhduar me përcjelljen e kamionit, duke sinjalizuar gjatë gjithë kohës me alarm dhe rotacion si dhe me drita të gjata të automjetit që të ndalohet, mirëpo i njëjti nuk ka përfillur urdhrat e dhëna dhe ka vazhduar në drejtim të magjistrales Mitrovicë –Jarinje, duke zhvilluar gjatë gjithë kohës shpejtësi shumë të madhe  dhe duke rrezikuar të gjithë pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

Në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Duke parë rrezikun e lartë për jetën e zyrtarëve policorë si dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik, zyrtarët policorë kanë ndërmarr veprimet e domosdoshme dhe proporcionale me qëllim të ndalimit të rrezikut duke edhe përdorur armën zyrtare.

Pas të gjitha veprimeve ligjore zyrtarët policorë, në fshatin Llazhinë kanë arritur të ndalin kamionin dhe me këtë rast kanë arrestuar vozitësin e kamionit, personin e dyshuar A.D (1990).

Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësia e hetimeve regjionale të policisë kufitare,  njësia e anti terrorizmit, njësia e forenzikës si dhe Dogana e Kosovës. Në lidhje me rastin është njoftuar  prokurori kujdestar dhe sipas urdhrit të tij, personi i dyshuar A.D, është dërguar në mbajtje dhe iniciohen rastet për ‘Kalim i Kufirit Ilegal’, ‘Kontrabandim Me Mallra’, dhe ‘Sulm ndaj Personit Zyrtar’. Personi i dyshuar U. R, (2002), vozitës i veturës lirohet në procedurë të rregullt ndërsa malli i kontrabanduar i dorëzohet Doganës së Kosovës për procedurë të mëtejme.

Nga veprimet jo ligjore dhe me rrezikshmëri të lartë të dyshuarit, janë lënduar pesë zyrtarë policorë të cilët kanë marrë trajtim mjekësor si dhe është dëmtuar një veturë zyrtare.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar drejt realizimit të objektivave strategjike për të parandaluar aktivitetet kriminale, kontrabandën dhe dukuritë tjera negative.

Komiteti Olimpik i Kosovës: Serbia pamundëson pjesëmarrjen e Kosovës në kampionatin e pingpongut

VOA/Leonat Shehu

Komiteti Olimpik i Kosovës, tha të shtunën se ekipi përfaqësues i pingpongut nuk është lejuar të marrë pjesë me të drejta të barabarta në Kampionatin evropian të Pingpongut U-21 të mbajtur në Beograd të Serbisë.

Në një njoftim të Komitetit Olimpik të Kosovës thuhet se politika serbe po vazhdon të përzihet në sport, duke diskriminuar sportistët e Kosovës. “Kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Federatën e Pingpongut të Kosovës gjatë procesit të pjesëmarrjes në Evropian, për çka dënojmë veprimin e radhës të përzierjes së politikës serbe në sport, e që nuk është rasti i parë, kur bëhet fjalë për sportistët tanë”.

Komiteti Olimpik tha se shpreson që “Federata Evropiane e Pingpongut (ETTU), të marrë masat e nevojshme ndaj organizatorit të evropianit, në këtë rast Serbisë, me besimin se diskriminimet e tilla do të marrin fund një herë e përgjithmonë”, thuhet në reagim.

Edhe Federata e Pingpongut e Kosovës përmes një reagimi tha se moslejimi i pjesëmarrjes së Kosovës në Kampionatin Evropian për të Rinj me të drejta të barabarta sikurse çdo anëtar tjetër i Federatës Evropiane të Pingpongut, përbën shkelje të rëndë dhe se do të përdorë mjetet juridike në të gjitha mekanizmat gjyqësore sportive.

Autoritetet në Serbi nuk kanë dhënë ndonjë sqarim për këtë çështje.

Vendimi i autoriteteve serbe nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Kosovë sipas të cilëve ndalimi ishte i papranueshëm.

Ministri i Kulturës dhe Rinisë në qeverinë e Kosovës, Hajrullah Çeku tha gjatë një konference me gazetarë se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve dhe e konventave ndërkombëtare të sportit.

“Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë ne jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare”, tha ministri Çeku.

Zoti Çeku tha se institucionet e Kosovës do të mbështesin federatat e sportit në, siç tha ai, betejë ligjore me Serbinë.

“Do të jemi mbështetëse për organizatat tona sportive që t’i adresojmë në rrugë ligjore, ndërkombëtare këto shkelje të shtetit të Serbisë në raport me sportistët e Kosovës sepse Serbia është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve tanë, kjo nuk është hera e parë që sportistët tanë po u mohohet e drejta për të marr pjesë në kampionate ndërkombëtare”, tha ministri Çeku.

Nuk është hera e parë që tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndikojnë në veprimtaritë sportive. Autoritetet serbe shpesh i këshillojnë sportistët e tyre që të bojkotojnë ceremonitë ku janë të përfshirë sportistët e Kosovës.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, në këmbim të integrimit në Bashkimin Evropian.

Pas ndërprerjes së shërbimeve në Onkologji, Shqipëria i pranon pacientët nga Kosova

Klinika e Onkologjisë në Kosovë. 6 korrik 2022.

 

RFE/RL

Pacientët kosovarë të me radioterapi, do të mund ta vazhdojnë këtë trajtim në Shqipëri, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Që nga 6 korriku, pajisjet për radioterapi në Kosovë janë jashtë funksionit, ku si pasojë e reshjeve të shiut është përmbytur bodrumi i Klinikës së Onkologjisë.

Edhe pse nuk është bërë e ditur se nga kur mund të nisin pacientët me kancer të marrin shërbimet e radioterapisë në Shqipëri, sipas njoftimit të MSH-së, ministrja Orgeta Manastirliu ka thënë se Shqipëria gjendet pranë Kosovës.

“Bazuar në bashkëpunimin e vazhdueshëm reciprok, por edhe në Marrëveshjet e bashkëpunimit në fushën e Shëndetësisë, midis Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhr Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë, shprehim angazhimin tonë maksimal për të krijuar mundësinë e trajtimit të pacientëve nga Kosova në njësinë tonë të Radioterapisë”, thuhet në letër.

Në njoftim thuhet se po bëhet plani i përbashkët i punës në nivel teknik për ta mundësuar plotësimin e nevojave të përcjella nga Onkologjia në Kosovë me mundësitë e shërbimit në Tiranë, sipas prioriteteve të përcaktuara nga specialistët e dy vendeve dhe kapaciteteve të shërbimit.

Klinika e Onkologjisë në Prishtinë është e vetmja qendër në Kosovë, ku të prekurit me kancer marrin kimioterapinë apo trajtime të tjera.

Brenda 24 orësh, aty marrin shërbime rreth 400 pacientë, që vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Kurti i pikëlluar për vrasjen e Abes: Ishte mik i mrekullueshëm i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ngushëlluar për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

Kurti tha se ai ka qenë një “mik i mrekullueshëm i Kosovës”.

“Jemi të pikëlluar dhe të shokuar nga vrasja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Kryeministri Abe ishte një lider i shquar i Japonisë dhe mik i mrekullueshëm i Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe populli ynë po luten për familjen e kryeministrit Abe, miqtë e tij dhe popullin e Japonisë”.

Më herët edhe presidentja Osmani reagoi për vdekjen e Abes, duke thënë se ai luajti një rol të rëndësishëm në thellimin e lidhjeve Kosovë-Japoni

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka vdekur në spital pasi nuk u përballoi plagëve të marra.

Transmetuesi publik japonez NHK ka raportuar se ish-kryeministri japonez Shinzo Abe është konfirmuar se ka vdekur nga të shtënat e mëngjesit të sotëm, duke cituar zyrtarë të partisë së Abes.

Elektrosever shkel afatet e përcaktuara me marrëveshje

Nënstacioni elektrik i Vallaçit në veri të Kosovës.

Bekim Bislimi, Sandra Cvetkoviq

Kompania serbe, Elektrosever, nuk i ka dorëzuar të dhënat e fundit për konsumatorët në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS dhe te Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT.

Elektrosever, gjithashtu, nuk i ka nënshkruar ende marrëveshjet e nevojshme teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in, për të operuar në tregun e Kosovës për energji.

Këto obligime dalin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2013 për Energjinë, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord më 21 qershor.

Si rezultat i këtyre obligimeve, kompania Elektrosever është licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor.

Kjo kompani do të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe.

Ajo është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Eletroerver “aktualisht pa klientë”

Në udhërrëfyesin që është bërë publik nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thuhet se brenda shtatë ditësh nga lëshimi i licencës, Elektrosever do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat e fundit për konsumatorët, nën ndërmjetësimin e BE-së.

Udhërrëfyesi, po ashtu, specifikon që “dhjetë ditë pas lëshimit të licencës për furnizim”, Elektrosever do t’i nënshkruajë marrëveshjet teknike me KEDS-in dhe KOSTT-in.

Në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, EPS thotë se licenca që Elektrosever e ka marrë nga ZRRE-ja “ende nuk është funksionale” dhe se “kompania aktualisht nuk ka klientë”. Më shumë detaje nuk jepen.

KOSTT-i: Elektrosever nuk i ka dërguar të dhënat brenda afatit

Se ende nuk i ka marrë të dhënat për konsumatorë, e konfirmon edhe vetë KOSTT-i.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ky operator i transmisionit thotë se kompania Elektrosever nuk ka vepruar në përputhje me pikën e dytë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë.

KOSTT-i shton se marrëveshjet e nevojshme teknike “janë nënshkruar” nga ana e tij, “në përputhje me format standarde të këtyre marrëveshjeve, të aprovuara nga ZRRE-ja” dhe se ato “janë dërguar për nënshkrim tek Elektroseveri, në afatin e paraparë sipas udhëzuesit”.

“Por, ende nuk i kemi pranuar të njëjtat të nënshkruara nga kompania Elektrosever. Jemi në pritje të konfirmimit nga furnizuesi Elektrosever”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje edhe te KEDS-i në lidhje me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë përgjigje.

REL i është drejtuar edhe Qeverisë së Kosovës me pyetjen se çfarë e pason mosrespektimin e afateve nga Elektroseveri, por nuk ka marrë përgjigje.

Nga BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Kosovë-Serbi, thonë se presin që “të dyja palët t’u përmbahen hapave të rënë dakord dhe t’i zbatojnë ata në kohën e duhur”.

“BE-ja, gjithashtu, u bën thirrje të dyja palëve që të bëjnë përparim në të gjitha punët e tjera të pazgjidhura, që lidhen me zbatimin [e marrëveshjes]”, thuhet në një deklaratë nga Zyra për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, dërguar REL-it.

Tarifat e Elektroseverit nuk janë subjekt i miratimit nga ZRRE-ja

Në deklaratën që EPS i ka dhënë REL-it thuhet, po ashtu, se Elektrosever “është licencuar për furnizim komercial” në Kosovë dhe se “mund t’i vendosë çmimet e veta” për konsumatorët.

Nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës konfirmojnë se Elektrosever, në bazë të licencës që ka, mund ta caktojë vetë çmimin.

“Tarifat, me të cilat Elektrosever do t’i faturojë konsumatorët, nuk do të jenë subjekt i miratimit nga ZRRE-ja”, thotë kjo zyrë.

Sipas saj, subjekt i miratimit nga ZRRE-ja janë vetëm tarifat që vendosin kompanitë për shërbim publik, në këtë rast Kompania kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO).

ZRRE shton se Elektrosever “do të jetë i obliguar që t’i zbatojë tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe tarifat për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, ashtu siç miratohen nga ZRRE-ja”.

Ku mund të furnizohet Elektrosever?

EPS thotë se Elektrosever “mund të blejë energji elektrike në treg, ose nga themeluesi, gjegjësisht nga vetë EPS-ja”.

“Është i njohur fakti se në Kosovë nuk ka energji të mjaftueshme dhe se ajo importohet, sidomos në dimër”, thotë EPS.

Fadil Ismaili, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, pohon se Elektrosever ka licencë për furnizim komercial dhe se në treg mund të blejë energji elektrike nga cilido furnizues. Por, shton ai, marrë parasysh që Elektrosever duhet t’u nënshtrohet tarifave të KOSTT-it dhe KEDS-it për shfrytëzimin e rrjetit të transmetimit dhe për shfrytëzimin e rrjetit të shpërndarjes, atëherë është pikëpyetje nëse çmimet që ofrohen te konsumatorët, do të jenë të përballueshme ose jo.

“Do të thotë, çmimet do të jenë tri apo katër herë më të shtrenjta në veri sesa këndej [në pjesën tjetër të Kosovës]… Normalisht, nuk do të ndodhë ashtu. Sigurisht që ata do të kenë nevojë që ta bëjnë ndonjë skemë të tyre dhe unë po dyshoj që ata do ta marrin energjinë prej Serbisë”, thotë Ismaili.

Që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, në katër komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan – qytetarëve nuk u janë faturuar shpenzimet e energjisë elektrike dhe ata nuk kanë paguar.

Deri në vitin 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i, që është kompani publike e Kosovës.

Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjes për Energji do të duhej të shënonte mbylljen e kapitullit të mbulimit të shpenzimeve nga KOSTT-i, përkatësisht subvencionet e ndara nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Por, sipas Ismailit, nëse çmimet që do t’i faturojë Elektrosever në të ardhmen, do të jenë të papërballueshme për qytetarët në veri, një gjë e tillë mund t’ia hapë rrugën Serbisë që t’i mbulojë ato shpenzime.

“Nuk e di se si mund të ndalet, nëse ata duan [ta bëjnë këtë]”, thotë Ismaili.

Qytetarët në pjesë të tjera të Kosovës – jashtë veriut – nga shkurti i këtij viti përballen me tarifa më të shtrenjta të rrymës, që i ka miratuar ZRRE-ja në vazhdën e një krize energjetike në botë. Shtrenjtimi, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë, brenda një muaji.

Aksion në Shtërpcë kundër strukturave ilegale serbe

RFE/RL

Me urdhër të Gjykatës Themelore të Ferizajt, Policia e Kosovës të enjten, më 7 korrik, po kryen një aksion për të sekuestruar kamera të sigurisë të vendosura nga strukturat ilegale serbe në Komunën e Shtërpcës.

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se aksioni është duke u zhvilluar në katër lokacione në këtë komunë, përfshirë edhe në objektin e komunës së strukturave ilegale serbe.

“Jemi duke e zbatuar një urdhëresë të gjykatës për kontrollin dhe sekuestrimin e gjësendeve që janë në objektin e komunës së strukturave ilegale dhe në tri lokacione të tjera, ku dyshohet se janë të vendosura pajisjet për monitorim të këtyre kamerave të sigurisë që janë vendosur në komunë, në rrugë publike nga strukturat ilegale. Vetëm ato që janë të vendosura nga strukturat ilegale e edhe kamerat që janë të vendosura nga institucionet tona publike”, tha ai.

Ky rast, sipas Malokut, nuk është i lidhur me rastin “Brezovica”, që ka të bëjë me keqpërdorimet në dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrën turistike të Brezovicës.
E vetmja lidhje, sipas tij, është se ish-kryetari i Komunës, Bratislav Nikoliq, ka qenë edhe koordinator i strukturave ilegale në këtë komunë.

“Ky [aksion] është ndërlidhur me rastin ‘Brezovica’ pasi që ish-kryetari i Komunës [së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq] ka qenë edhe koordinatori i strukturave ilegale. Megjithatë, është rast i veçantë, meqë nuk ka të bëjë me ndërtimet atje. Mirëpo, është ndërlidhur vetëm për shkak të personit kryesor që ka qenë edhe kryetar i këtyre strukturave ilegale. Por, këto janë organe jokushtetuese, për këtë arsye kemi ndërmarrë edhe këtë që t’i mbyllim dhe t’i sekuestrojmë të gjitha pajisjet edhe dokumentacionin në bazë të të cilëve kanë operuar”, tha Maloku.

Aksioni po zhvillohet në katër lokacione, por edhe në vendet ku janë vendosur kamerat, siç janë shtyllat ndriçuese në rrugët e kësaj komune.

Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës (AIP), më herët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se video-mbikëqyrja, që identifikon individët, nuk guxon të vendoset në asnjë institucion dhe se vetëm policia ka të drejtë t’i përdorë ato “në raste të veçanta”.

AIP është agjenci e pavarur, që monitoron zbatimin e Ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të personave fizikë.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe: Aksioni në Shtërpcë, për të frikësuar serbët

Zyra për Kosovë ne Qeverinë e Serbisë tha se qëllimi i këtij aksioni ishte frikësimi dhe maltretimi i serbëve në këtë komunë.

Sipas komunikatës të lëshuar nga kjo Zyrë, forcat policore kanë hyrë në një shkollë fillore në Brezovicë, në objektin e postës serbe në fshatin Drajkovcë, po ashtu është kontrolluar ndërtesa e komunës e cila funksionon në sistemin serb nga ku “është marrë i tërë dokumentacioni dhe kompjuterët”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe shton se kontrolli është bërë edhe në televizionin lokal, Herc, dhe se nga shtyllat ndriçuese janë hequr kamerat.

Sipas zyrës, këto kamera, “të cilat legalisht u vendosën para 10 vjetësh“, nuk janë në funksion që disa vite dhe se “Prishtina zyrtare e di këtë”.

“Nuk ka dyshim se ky është një sulm i ri dhe presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë sepse nuk ka arsye për këtë aksion të ri në këtë komunë serbe“, tha Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe.

Në dhjetor të vitit 2021, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Serbia, përmes institucioneve të cilat i ka në Kosovë, ka blerë sistemin e video-mbikëqyrjes së kompanisë kineze që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të dedikuar për shkollat në 12 komuna të Kosovës.

Siç është parë nga dokumentacioni, sistemet e video-mbikëqyrjes të markës kineze Dahua, të cilat Serbia i blen për shkollat në Kosovë, kanë edhe opsionin e njohjes së fytyrave. Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, Dahua Technology është kompani kineze, e cila që nga viti 2019, gjendet në listën e zezë të SHBA-së për shkak të ndërlidhjes së saj me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe fushatën kineze të represionit kundër ujgurëve në provincën kineze të Xinjiang.

Më 16 dhjetor të vitit 2021, Organi i përkohshëm i Komunës së Gjilanit në Kosovë, institucion ky i menaxhuar nga strukturat serbe dhe që nga autoritetet e Kosovës njihet si institucion paralel, ka lidhur kontratë për prokurimin e këtij sistemi për video-mbikëqyrje me Neva Company 2020 DOO, me seli në Ranillugë, po ashtu komunë kjo e banuar me shumicë serbe në Kosovë.

Ndryshe, rasti “Brezovica” është iniciuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt në fundin e vitit të kaluar dhe ky rast ende po vazhdon. Nikoliq, sipas Prokurorisë, dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara në mënyrë të kundërligjshme për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, që gjendet në Komunën e Shtërpcës.

Nikoliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, dhurata, e vetura në këmbim të lëshimit të lejeve të ndërtimit.

Rreziku nga mungesa e grurit në Kosovë

Nadie Ahmeti

Fermerët në Kosovë parashikojnë që nga fushata e korrje-shirjeve të grurit të sigurohen rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës për ushqim.

Për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike dhe shtrenjtimit të çmimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve, ata nuk janë në gjendje të garantojnë sasi dhe cilësi të duhur.

Njëherësh, fermerët paralajmërojnë edhe vështirësi në furnizime nga importi për shkak të vazhdimit të luftës në Ukrainë, si dhe bllokimit të eksporteve nga Ukraina dhe Rusia.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje.

Procesi i korrjes së grurit në Kosovë ka filluar në fund të muajit qershor.

Isuf Cikaqi, drejtor në Departamentin për Politika Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, tha se në bazë të të dhënave preliminare, sasia e prodhimit të grurit do të jetë brenda mesatares nga 3500-4500 kilogramë për hektarë.

Ai tregon se pritet të korren rreth 70 mijë hektarë sipërfaqe të mbjellë me këtë kulturë.

“Edhe sivjet rendimenti do të jetë brenda kësaj mesatare – por është ende herët të flasim pa përfunduar procesi i korrjes”, thekson ai.

Por, Pal Gjuraj, nga Shoqata e Bujqve Prodhues të Grurit te Kosovës, konsideron se kjo sipërfaqe është e pamjaftueshme për nevojat e popullatës së përgjithshme.

“Nuk pritet ndonjë rendiment, po flas për ditët e para të fillimit të korrjes. Pritet që për një hektar tokë, rendimenti të arrijë 3.500 kilogramë, ndërkaq vitin e kaluar kjo ishte mbi 4.200 kilogramë”, thotë ai, duke shtuar se me këtë sasi të rendimentit do të sigurohet rreth 50 për qind e kërkesave të popullatës.

Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë nevojat për këtë produkt për kokë banori janë 204 kilogramë, që i bie se në Kosovë duhet të harxhohen 410.000 tonë grurë.

Në vitin 2020, Kosova ka siguruar 341 mijë tonë grurë nga 80 mijë hektarë sipërfaqe të mbjella me këtë kulturë. Të dhënat për vitin e kaluar mungojnë.

Kasumi: Nëse vazhdon shtrenjtimi, do të zvogëlohen sipërfaqet me grurë

Fermeri Xhafer Kasumi nga Komuna e Vushtrrisë, sivjet ka kultivuar 24 hektarë tokë me grurë, njëmbëdhjetë hektarë më pak se vitin paraprak.

Për shkak të rritjes së çmimit të plehut artificial dhe derivateve të naftës, vjeshtën e kaluar ai thotë se e ka zvogëluar sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë.

Por, çmimet e këtyre produkteve kanë vazhduar të rriten edhe gjatë këtij viti. Kasumi thotë se do ta zvogëlojë sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë.

Gruri duhet të plehërohet domosdo dy herë. Gjatë këtij viti 100 kilogramë pleh artificial kushtojnë 100 euro, krahasuar me vitin e kaluar kur kanë kushtuar 32 euro.

Për një hektar tokë të kultivuar nevojiten deri në 300 kilogramë pleh.

“Nuk di si do t’ia bëj. Mbi 6.000 euro më ka kushtuar vetëm plehërimi. Deri më tani ka korrur një pjesë të grurit dhe kur të përfundojë krejt, do ta llogaris a ia vlen të mbjell sivjet”, shprehet ai.

Rritet edhe çmimi i grurit

Shtrenjtimi i plehut artificial dhe naftës ka bërë që edhe çmimi i grurit në treg të jetë më i lartë.

Pal Gjuraj tregon se çmimi për një kilogram grurë kushton 30 centë edhe kjo vlerë, sipas tij, nuk është e leverdishme për fermerët. Vitin e kaluar çmimi për një kilogram grurë ka kushtuar 19 centë.

“Ne i bëjmë ftesë Qeverisë që të ndërmarrë hapa sa më të shpejtë, duke pasur parasysh që është sezon korrjesh jo vetëm te ne (Kosovë) por edhe në rajon, që të nisë të grumbullojë rezerva të grurit, përndryshe do të kemi vështirësi të jashtëzakonshme, sepse lufta ruse në Ukrainë do të ndikojë edhe tregun e Kosovës”, thotë Gjuraj.

Imer Rusinovci, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se Kosova edhe sivjet do të varet nga importi.
Pasi në bazë të sasisë dhe cilësisë së grurit, ai llogarit se gjysma e nevojës së kërkesave të qytetarëve për këtë produkt nuk do të përmbushen.
Pushtimi rus i Ukrainës, sipas Rusinovcit, do të shtrenjtojë dhe do të vështirësojë edhe më tepër furnizimin me këtë produkt.

“Unë besoj se nga muaji shtator, përkatësisht tetor, ky çmim do të jetë dyfish më i lartë. Pra, është vit më i vështirë në raport me vitet e kaluara, sfidat janë shumë të mëdha. Dhe, nga janari mund të ballafaqohemi, mos të themi me pasiguri ushqimore, por sigurisht me çmime enorme të grurit. Dhe nga gruri më pas shtrenjtohen edhe produkte tjera ushqimore”, thekson Rusinovci.

Rusinovci: Lufta në Ukrainë vështirëson sigurimin e grurit

Rusia dhe Ukraina eksportojnë pothuajse një të tretën e grurit dhe elbit në botë.
Por, që nga nisja e pushtimit rus, miliona tonë grurë dhe drithëra të tjera janë bllokuar prej muajsh në portet e Ukrainës, duke shkaktuar shqetësime mbi krizën dhe rritjen e çmimeve në të gjithë botën.

Prodhimi botëror i grurit, orizit dhe drithërave të tjera pritet të arrijë në 2.78 miliardë tonë më 2022, 16 milionë tonë më pak se vitin e kaluar.

Kjo është hera e parë në katër vjet që ka rënë prodhimi i këtyre produkteve, tha Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Agrikulturë.

Çmimet e grurit u rritën për 45 për qind në tremujorin e parë të këtij vitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, thuhet në indeksin e çmimeve të Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë.

Kosova nuk është shumë e varur nga importi i grurit nga Ukraina dhe Rusia, por vendet nga importohet ky produkt në Kosovë mund të kenë siguruar në këto shtete, thonë përfaqësues të shoqatës së bujqve dhe mullisëve.

Kosova sasinë më të madhe të grurit e importon nga shtetet e rajonit, përkatësisht nga Serbia. Për gjashtë muajt e këtij viti, sipas të dhënave të Doganës se Kosovës, vendi ka importuar 45 mijë tonë grurë, gjatë vitit 2021, 115 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit dhe në vitin 2020, rreth 160 mijë tonë.

Serbia është shteti nga i cili Kosova importon sasinë më të madhe të grurit dhe miellit, pasuar nga Hungaria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina.
Për të ulur sasinë e importit të produkteve bujqësore dhe rritjen e rendimenteve Qeveria e Kosovës më 9 mars, ka ndarë 50 milionë euro për subvencionimin e sektorit të bujqësisë.

Vetëm për subvencionimin e grurit janë ndarë 474 euro për hektarë – përfshirë këtu shpenzimet e plehut dhe të naftës.

Kurti thotë se Procesi i Berlinit është i nevojshëm për integrimin në BE

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe se drejt arritjes së këtij qëllimi duhet, siç e quajti ai, Procesi i Berlinit 2.0.

Kurti mori pjesë në panelin me temën: “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”, organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”, që u mbajt në Greqi.

Ai ka tha se ka shpresa të mëdha që Procesi i Berlinit të riniset nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Unë besoj se me presidentin [e Shteteve të Bashkuara, Joe] Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund të ringjallim urën transatlantike, e cila në shekullin 21 është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të. Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe në modeluara sipas EFTA EEA, diçka të ngjashme sikurse Norvegjia, Litenshtajni, Zvicra dhe Islanda kanë me BE-në, komitete dhe këshilla të përbashkët, mekanizma të vëzhgimit, gjykatë të përbashkët me BE-në si vlerë dhe mekanizëm, jo jashtë BE-së”, tha Kurti gjatë diskutimit në këtë panel.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar më 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel. Ky proces përqendrohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Procesi përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë: Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

Kancelari Scholz më herët ka bërë të ditur, se synon që ta ringjallë këtë proces, duke thirrur një takim në Berlin më vonë gjatë këtij viti.

Kosova ka mirëpritur këtë paralajmërim të Gjermanisë, teksa kundërshton nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ku aktualisht bëjnë pjesë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kurti gjatë panelit në Greqi, përsëriti qëndrimin se gjatë këtij viti Kosova do të aplikojë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke thënë se nëse të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor futen brenda BE-së, kjo do të ishte një barrë më e vogël për bllokun evropian.

“Nëse Ballkani Perëndimor vazhdon të qëndrojë jashtë BE-së do të bëhet shumë atraktive për t’u shndërruar në fushëbetejë për superfuqi të ndryshme dhe askush nuk e do këtë. Kam shpresë se gjërat do të ndryshojnë për të mirë”, tha Kurti.

Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur disa kapituj për anëtarësim në BE, teksa Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ende po presin që të hapin negociatat për anëtarësim. Ndërkaq, Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova janë të fundit nga shtetet e rajonit, sa i përket rrugës së tyre drejt anëtarësimit në BE.

Kushtetuesja i shpalli të papranueshme kërkesat për Blerim Isufajn

RFE/RL

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kundërkandidatëve të Blerim Isufajt, kryeprokuror i zgjedhur, me arsyetimin se ata nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi.

Në njoftimin dërguar mediave më 4 korrik, kjo gjykatë sqaron se, “kërkesat përkatëse i shpall të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit të Republikës së Kosovës, kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK kishte renditur parashtruesit e kërkesave në pozitën e dytë dhe të katërt, ndërsa kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e parë.

Parashtruesit e kërkesave, më 28 prill 2022 dhe 6 qershor 2022, respektivisht, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar që vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë duke shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kushtetuesja njofton se mjeti juridik ekziston dhe është i përcaktuar në Ligjin për konflikte administrative, dhe se këtij ligji, Gjykata, përmes praktikës së saj gjyqësore, i është referuar në mënyrë të vazhdueshme dhe parashtruesit e kërkesave nuk kanë parashtruar asnjë argument në plotësim të kritereve të lartcekura.

“Gjykata, ndër tjerash, sqaroi se fakti që Ligji për Këshillin Prokurorial mund të mos ketë përcaktuar mjet specifik juridik, nuk përjashton aplikueshmërinë e normave tjera juridike, përfshirë Ligjin për konflikte administrative dhe referimi në ngarkesën me lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nuk mund të lirojë një parashtrues të një kërkese individuale nga një detyrim kushtetues, sepse një pretendim i tillë, për më tepër i paargumentuar përmes praktikës relevante gjyqësore, kualifikohet si “dyshim i thjeshtë” përkitazi me mungesën e pretenduar të efikasitetit të mjetit juridik”, thuhet në njoftim.

Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin ose jo të tij nuk e ka marrë ende presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani: Gjatë korrikut mund të ketë takim të ri Kurti-Vuçiq

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që gjatë muajit korrik të mbahet takimi i ri midis dy bartësve të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë një konference për media në Slloveni, shtet në të cilin më 4 korrik ka nisur vizitën dyditore, Osmani tha se Kosova gjithmonë ka qenë konstruktive dhe është angazhuar në mënyrë aktive në dialog. Sipas saj, në këtë proces, Prishtina ofron propozime për të kontribuar në përforcimin e paqes në rajon.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, procesi po vazhdon, ka pasur takime në nivel të kryenegociatorëve dhe shumë shpejt, besoj gjatë korrikut – por, kjo varet nga lehtësuesit evropianë – ne do të kemi po ashtu një takim në nivel të liderëve. Por procesi ka vazhduar, ka qenë konstant dhe shumë dinamik dhe po ashtu ka rezultuar në marrëveshjen për udhëzuesin në energji, që mendoj se është një arritje e madhe në proces. Po ashtu ka zhvillime pozitive në çështjen e të zhdukurve me dhunë që është një rrugë e rëndësishme drejt paqes dhe pajtimit në mbarë rajonin”, tha Osmani.

Ajo këtë deklaratë e bëri gjatë konferencës së përbashkët për media në homologun e saj slloven, Borut Pahor, i cili kërkoi si nga Kosova, po ashtu nga Serbia që të ringjallin dialogun që ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Ne dëshirojmë të ringjallim dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit. Sllovenia është mike e mirë e të dyja shteteve dhe ne do të donim që ky dialog të jetë i sinqertë dhe të japë rezultate, jo vetëm në formë të marrëveshjeve, por edhe në zbatimin e tyre. Prandaj, ne do të donim të ringjallnim shpresën që kemi parë në fillim të këtij procesi dhe kjo shpresë do të ishte e rëndësishme jo vetëm për qytetarët në Kosovë dhe Serbi, por do t’iu jepte shpresë të gjithëve në rajon sepse ata do ta shihnin se të gjitha çështjet mund të zgjidhen përmes dialogut”, tha ai.

Bartësit e dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit 2021. Deri tani, ata kanë zhvilluar vetëm dy takime dhe që të dyja nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Zyrtarët në BE kanë thënë se janë duke përgatitur një takim të ri midis Kurtit dhe Vuçiqit, por ende nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur mund të ndodhë.

Osmani dhe Pahor po ashtu folën për procesin eurointegrues të Kosovës. Presidentja kosovare tha se Sllovenia është një prej mbështetësve më të zëshme për liberalizimin e vizave, por edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata dhe institucione të ndryshme.

Pahor po ashtu konfirmoi se shteti i tij dëshiron që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të përmbyllet shpejt.

“Pikë së pari, ne presim nga partnerët tanë evropianë të përmbushin premtimet e tyre dhe këtu e kam fjalën për liberalizimin e vizave. Marrëveshja veçse është arritur dhe do të ishte e padrejtë për të rihapur këto diskutime”, tha ai.

Po ashtu Osmani tha se Kosova që katër vjet ka plotësuar kriteret për viza dhe pret që gjatë presidencës çeke të BE-së të përmbyllet ky proces.

“Tani është në dorën e shteteve anëtare që të finalizojnë dhe përmbyllin këtë proces që është një padrejtësi e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ne presim që kjo të ndodhë në muajt e ardhshëm, por pavarësisht sfidave dhe pengesave ne do të vazhdojmë të ecin në atë rrugë si evropianë të vërtetë”, tha ajo.

Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen. Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë rekomanduar që të merret vendim pozitiv në këtë drejtim.

Kosova synon Kartonin e Gjelbër përmes një shteti tjetër

Një veturë duke kaluar në pikëkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdare. Fotografi nga arkivi.

Luljeta Krasniqi – Veseli

Kosova synon të bëhet pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër përmes një shteti tjetër – e vetme nuk mund të arrijë, pasi nuk është anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Përfaqësues të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) thonë se, gjatë korrikut, pritet të mbajnë një takim me Këshillin e Byrosë Evropiane, i cili siguron Kartonin e Gjelbër, për të diskutuar mundësinë e tillë.

“Ne duhet të marrim një aprovim nga Këshilli i Byrosë Evropiane [në Bruksel] për të bërë një marrëveshje me një shtet tjetër, në mënyrë që edhe Kosova, përmes Byrosë Kosovare të Sigurimeve, të ketë Kartonin e Gjelbër. Pa qenë pjesë e OKB-së, ne nuk mund të anëtarësohemi në Këshillin e Byrosë Evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Sami Mazreku, drejtor ekzekutiv i BKS-së.

Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm.

Ky lloj sigurimi mbulon dëmet personale ose materiale që mund të shkaktohen, në rast të aksidentit në territorin e një shteti ku vlen Kartoni i Gjelbër. Ky karton merret kur sigurohet vetura dhe vlen në të gjitha shtetet që e kanë në përdorim. Në mungesë të tij, qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë sigurim në cilindo shtet të huaj, përveç atyre me të cilat Kosova ka marrëveshje reciproke për polica sigurimi.

Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane. Por, statuti i këtij këshilli e thekson se për të pranuar një shtet, ai duhet të jetë anëtar i OKB-së.

Mazreku: Kemi plotësuar kushtet për Kartonin e Gjelbër

Mazreku nuk tregon se përmes cilit shtet Kosova synon anëtarësimin, por thotë se i ka plotësuar kushtet për një gjë të tillë.

“Kemi dy – tri opsione, por njëri shtet është më serioz… Ne do ta njoftojmë Këshillin e Byrosë Evropiane me cilin shtet mund ta shesim [Kartonin e Gjelbër], pastaj do të bëjmë një ekip teknik, që do të merret me aspektet tjera procedurale dhe koston”, thotë Mazreku, duke mos dhënë detaje të tjera.

Kushti që është dashur ta plotësojë Byroja Kosovare e Sigurimit ka qenë nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe për njohjen reciproke të policave të sigurimit me sa më shumë shtete.

Kosova, aktualisht, ka marrëveshje të tilla me katër shtete të rajonit: Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

Kriter kryesor teknik për Kartonin e Gjelbër është, po ashtu, ulja e numrit të automjeteve të paregjistruara nën nivelin prej 5%.

Deri para muajit mars të këtij viti, në Kosovë ka pasur numër të madh të veturave të paregjistruara dhe të pasiguruara – mbi 200 mijë. Tash, sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, numri i veturave të paregjistruara ka rënë në 22,600, në raport me 410,000 të regjistruara, që do të thotë se është plotësuar kushti.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se kjo është arritur pas fillimit të aplikimit të tiketave ngjitëse të regjistrimit, si dhe me nxjerrjen e një udhëzimin administrativ, sipas të cilit, automjetet që nuk regjistrohen dy vjet me radhë, largohen nga lista e automjeteve të paregjistruara.

Tiketa ngjitëse, e cila merret pas kontrollit teknik të automjetit, ka nisur të zbatohet në mars.

“Me këto masa, muajin e kaluar, ne kemi arritur në vlerën 5 për qind të automjeteve të paregjistruara. Tashmë, kriteret teknike [për Kartonin e Gjelbër] janë plotësuar. Pasi që nuk jemi vend anëtar i OKB-së, kjo na e vështirëson aplikimin për Karton të Gjelbër. Megjithatë, jemi duke hulumtuar dhe trajtuar zgjidhjet që na mundësojnë realizimin sa më të shpejtë të qëllimit tonë”, thotë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Pagesa e sigurimit kufitar nga buxheti i shtetit

Meqë nuk është pjesë e Kartonit të Gjelbër, sigurimi i veturave që lëshohet në Kosovë, nuk vlen për vendet tjera. Po ashtu, veturat që hyjnë në Kosovë, duhet të paguajnë sigurim shtesë, pavarësisht nëse kanë ose jo Kartonin e Gjelbër.

Tarifa e sigurimit që paguhet në kufi, ndryshon nga kategoria e mjeteve motorike dhe periudha e qëndrimit në Kosovë.

Personat që hyjnë në Kosovë me auto-vetura me tabela të huaja, duhet të paguajnë 15 euro për një qëndrim prej 15 ditësh. Qëndrimi për një vit kap vlerën e 205 eurove. Këto tarifa janë më të larta për autobusë dhe kamionë mbi një ton.

Sipas të dhënave të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, vlera vjetore e këtyre mjeteve ka arritur deri në 10 milionë euro.

Në gusht të vitit 2020, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbulojë sigurimin kufitar për diasporën, duke ndarë 3 milionë euro.

Ky vendim ka qenë në fuqi deri në dhjetor të vitit 2020, ndërsa nga marsi i vitit 2021 është kthyer sërish.

Qeveria ka ndarë pesë milionë euro për, siç është thënë, “mbështetje e mërgatës”, duke i mbuluar shpenzimet e sigurimit kufitar.

Nga marsi, Qeveria ka lansuar formularin elektronik për subvencionimin e policave kufitare për diasporën kosovare që hyn në Kosovë gjatë vitit 2022.

Këto pagesa nga buxheti i shtetit janë kundërshtuar vazhdimisht nga shoqëria civile.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti për Politika Zhvillimore dhe disa organizata të tjera të shoqërisë civile kanë vlerësuar se ky shpenzim është “i pajustifikueshëm”.

Në vend të kësaj, shoqëria civile ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës, nëpërmjet Byrosë Kosovare të Sigurimit, t’i shtojë përpjekjet për ta futur Kosovën në Kartonin e Gjelbër.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008. Për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe aleates së saj, Rusisë, Kosova nuk ka arritur ende të bëhet pjesë e organizatave të ndryshme ndërkombëtare, si: OKB, Organizata Botërore e Tregtisë, Organizata Ndërkombëtare e Policisë Kriminale e të tjera.

Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa të tjera – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Ambasadori i SHBA në Kosovë Jeff Hovenier njofton për festimet e mrekullueshme të 4 Korrikut

Ambasadori i SHBA në Kosovë Jeff Hovenier përmes një tweet njofton festimet e mrekullueshme të 4 Korrikut, Ditës të pavarësisë së SHBA

Patëm një entuziasm absolut duke festuar Ditën e Pavarësisë së SHBA-së me miqtë tanë kosovarë sonte në Ambasadën e SHBA në Prishtinë. Faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen dhe faleminderit stafit tonë për organizimin e kësaj ngjarjeje të bukur. 🇺🇸🇽🇰 #USABbirthday2022 #SHBA në Kosovë @VjosaOsmaniPRKS @albinkurti.

Albin Kurti: Jemi të gatshëm për njohje reciproke me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se Prishtina është e gatshme e interesuar për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke me Serbinë në qendër të marrëveshjes.

Por ai shtoi se problemi mund të jetë në paralajmërimet e Beogradit se mund të tërhiqet nga dialogu.

“Mendoj se po bëjnë një gabim dhe kjo mund ta ketë frikësuar dikë pak në Bruksel”, tha ai në një koment mbi deklaratën e të dërguarit të BE-së mbi dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se situata ka ndryshuar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me kartat e identitetit dhe afati për regjistrimin e veturave me targa serbe.

Ai ka shtuar se edhe Lajçaku ishte vazhdimisht i informuar për veprimet e palës kosovare.

“E di që ka një plan për takime të negociatorëve kryesorë, ndoshta më shumë se kaq për të parë se si dhe sa mund të përgatiten në Bruksel”, tha Kurti.

Lajçak, tha të enjten se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një situatë e re, e cila ndryshoi planet dhe temat e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

“Me shumë bujari kemi vendosur një afat prej dy muajsh për të kryer një konvertim të tillë që ndihmon ligjshmërinë dhe rregullsinë në vendin tonë”, tha Kurti dhe shtoi se Prishtina është e interesuar që të nënshkruajë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur.

“Çështja e të pagjeturve është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ata janë zhdukur me dhunë dhe ne do të bëjmë çmos që kjo çështje të zbardhet sa më parë, sepse ankthi i familjarëve mund të jetë më i madh se sa pikëllimi i tyre, i cili nuk është vetëm i tyre”, tha Kurti.bw

Kurti: Procesi i Berlinit nuk ka alternativë

Për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti “Procesi i Berlinit nuk ka alternativë”, njëjtë siç “s’ka alternativë tjetër pos integrimit në Bashkimin Evropian.

Këtë kreu i ekzekutivit kosovar e ka thënë gjatë një takimi që e kishte të martën me Sekretaren e Shtetit e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Livia Leu.

Siç ka njoftuar zyra e kryeministrit në këtë takim është folur edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti e ka ritheksuar qëndrimin për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, duke pasur në qendër njohjen reciproke.

Sipas tij, mohimi i pavarësisë së Kosovës është e njëjta gjë me mohimin e gjenocidit serb në Kosovë 1998/99.

Gjatë këtij takimi është biseduar edhe për raportet ndër-shtetërore mes Kosovës dhe Zvicrës.

Livia Leu ka thënë se “Zvicra e ka Kosovën Republikë prioritare”. Express

Pisonero: Ka shtete skeptike që Kosovës t’i hiqen vizat, ne qëndrojmë pas rekomandimit të 2018-ës

Komisioni Europian vazhdon të qëndrojë pas rekomandimit  të korrikut të 2018-ës që thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Zëdhënësja e këtij institucioni, Ana Pisonero, ka thënë se është një proces i zgjatur dhe që tani është në pritje të Këshillit të Ministrave.

Në një konferencë për media, Pisonero tha se disa nga shtetet anëtare kanë shqetësime të vazhdueshme mbi disa çështje siç është luftimi i korrupsionit, pretendimet e rreme për azil dhe siguria e dokumenteve, raporton Express.

“Nga ana jonë, Komisioni qëndron  i gatshëm që të jep mbështetje punën ndërmjet shteteve anëtare dhe autoriteteve të Kosovës në mënyrë që të zgjidhen këto çështje”, ka deklaruar ajo.

Lufta e dardanëve e vitit 1389 – midis mitit dhe realitetit Nga Jusuf BUXHOVI

 

Sipas shumë burimeve historike, Beteja e Dardanës filloi më 15 qershor të vitit 1389 dhe përfundoi po atë ditë, diku në orët e mbrëmjes me humbjen e forcave të lidhjes së krishterë ilirike. Mospërputhja në datë ka të bëjë me pranimin nga ana e Serbëve të Kalendarit gregorian më vonë se Europa; për Osmanët data është 19 Jumada II 791, pra 15 qershor 1389. Edhe përkundër kësaj dallimet vazhdojnë. Kështu, K. Frashëri përmend datën 27 qershor  ndërkohë që edhe një pjesë e mirë e historiografisë serbe përmend datën 27 dhe 28 qershor.Në betejë gjetën vdekjen Sulltan Murati I, që  thuhet se u vra nga Milesh Kopili, një fisnik dardan, nga Sllavët i quajtur Milloš, fillimisht Kobilić, ndërsa më vonë Obilić.

Mileshi ishte dhëndër i princit Llazar, dukuri kjo e njohur e martesave në rrethanat mesjetare midis familjeve feudale. Vdekjen e gjeti edhe Llazari, pasi që ishte zënë rob lufte. I njëjti fat e gjet edhe Milesh Kopilin, i cili diku në shekullin XIX, kur do të ndërtohet miti i Kosovës për qëllime hegjemoniste serbe, do të kremtohet “hero nacional serb”. Ndërkohë që  shqiptarët, duke u mbështetur mbi vazhdimësinë historike të etnisë së tyre në këto pjesë nga antikiteti e këndej, do ta trajtojnë “të tyre”.Nga prijësit Arbërorë në betejë mbeti edhe Muzaka. Po atë ditë, sulltanin e vrarë, e zëvendësoi i biri, Bajaziti I, i njohur me nofkën “Jëlldërëm” (Rrufeja).Edhe pse nga këndvështrimi i fakteve historike kjo luftë mbetet me shumë të panjohura, veçmas për nga përmasat e njëmendta (shumë e shumë më të ngushta nga ato të përshkrimeve të  shfaqura në shekullin XIX), dhe rolit të faktorëve vendor në të (jashtë ndonjë aleance të gjerë ushtarake, të shumtën me njësi vullnetarësh), megjithatë disa të dhëna për ato që solli kjo luftë, tregojnë se Osmanët kaluan në një fazë të re të konsolidimit të pushtimeve në Ilirik, duke krijuar parakushte për pushtimet e mëtutjeshme në drejtim të qendrës së Europës.

Kështu, nga këto burime bëhet e ditur se Bajaziti, pasi që i theu forcat e lidhjes së krishterë, nuk u tregua ndëshkues ndaj humbësve, siç pritej. Përkundrazi, bëri vasal Vuk Brankoviqin, feudalin nga Dardania, për të cilin disa burime thonë se i iku betejës, pse gjoja kishte disa mospajtime me vjehrrin e  të ngjashme të krijuara nga në shekullin XIX nga historiografia serbe për qëllime hegjemoniste me të cilat bëhet përpjekje të vazhdueshme që tribalët dhe arbrit e përkatësisë ortodokse t’i konvertojë në serbë, me çka gjoja “tradhtia e dhëndrit” bëhet shkas i humbjes deri te kremtimi në vasal “të armikut”, gjë që kjo për një serb “të njëmendët” nuk mund të thuhet.

Duke u thirrur në burime nga fusha e folklorit dhe pa argumente të mjaftueshme historike, të cilat mund të gjenden pikërisht te çmitizimi i kësaj lufte me anën e trajtimit shkencor të faktorëve të gjithmbarshëm etnik dhe shoqëror e politik të kohës në përputhje me rrethanat që sollën te agonia e Bizantit dhe fuqizimi i osmanëve e të tjera të kësaj natyre, edhe disa studiues shqiptarë, duke u mbështetur mbi faktorin e etnosit autokton me vazhdimësi dardane, mbrojnë qëndrimin për përkatësinë dardane-arbërore të Milesh Kopilit dhe të tjerëve si një vetëdije autoktone të një etnie të përbashkët, qoftë ortodokse ose katolike në kuadër të përkatësisë së krishterë, e cila shfaqet në shekullin XIX.Pavarësisht kundrimeve të ndryshme, rreth përkatësisë se atyre që epika historike e njërit apo tjetrit popull do t’i shfrytëzojë si mite në shërbim të kujtesës historike dhe kthimit të saj në një frymëzues të vetëdijes nacionale, siç ishte ajo e shekullit XIX e mbrapa, megjithatë, mund të thuhet se ndeshja kyçe historike midis të krishterëve të Ilirikut dhe Osmanëve, gjatë qershorit të vitit 1389 apo aty diku afër, pa marrë parasysh përmasave të saj të njëmendta dhe mitizimeve që e kanë përcjellë për qëllime të caktuara, pra gjithsesi se duhej të ndodhte në Dardani, ngaqë ajo ishte përcaktuese për ecurinë e mëtutjeshme të pushtimeve osmane në Europë, në një hapësirë  gjeografike, e cila,  nga antikiteti  shfaqej nyje prej nga mbikëqyrej hapësira euro-aziatike.

Ndaj, një perandori, që pretendonte të arrinte përmasat botërore, siç ishte asokohe ajo osmane, duhej të vendosej aty, siç kishte ndodhur edhe me fatin e perandorive paraprake dhe të ndarjes së krishterimit madje.Rreth Betejës së Dardanës ( betejës së Kosovës në historiografinë sllave dhe europiane) dhe rëndësisë së saj ka vlerësime të ndryshme shpesh kundërthënëse: nga ato që e zmadhojnë (“Kjo fitore e stabilizoi fuqishëm sundimin e turqve në Ilirik” – Inalxhik, H: “Perandoria Osmane”, Shkup 2010; ose: “Beteja që do të vendosë për pesë shekuj fatin e Gadishullit Ilirikut” – Miller, William; “The Balkans ) e deri te ato që e zvogëlojnë fare, siç janë vlerësimet e historianit rumun Jorga kur thotë se “1389-a nuk pati qenë veçse një incident i stërmadhuar prej legjendës” .

Zmadhimit të namit të  kësaj beteje jashtë çdo mase gjithsesi se i kanë ndihmuar disa nga kronikanët osmanë, duke filluar nga bejtet e e Ahmeditut të shekullit XV “Kuajt çapiteshin mbi kufomat që ishin kat-e-kat mbi njëri tjetrin” (shih te Ahmedi: “Dastan ve Tevarih”, 50 ) si dhe kronikat e Shukurullahut, për të cilat Pulaha thotë se “Shukurullahu dhe të  gjithë kronikët osmanë pas tij, me qëllim që të rrisin sa më shumë fitoren e turqve osmanlinj në Kosovë më 1389, thonë se koalicionin e feudalëve  të Ilirikut  morën pjesë edhe vëllehët, çekët, hungarezët, Bullgarët  e venedikasit. Në të vërtetë ky pohim është i gabuar, sepse në këtë koalicion morën pjesë vetëm sllavët, boshnjakët dhe Shqiptarët”. Për Pulahën të ekzagjeruara janë gjithashtu edhe shifrat që japin këta për ushtrinë e koalicionit. (Shih “Lufta shqiptaro-turke”, 31 shën.10).Andaj, ngritje e Osmanëve drejt Perëndimit, ishte e natyrshme të fillonte në kurriz të të krishterëve të Ilirikut, por njëherësh edhe me ndihmën e tyre, që ndonëse qenë të parët që do t’i kundërvihen (në luftën e Maricës e pastaj në Fushë-Dardani), pas humbjes në këtë të fundit, do të kthehen në vasalë të osmanëve, gjendje kjo që do t’i ndihmojë forcimit dhe shtrirjes së pushtimeve të tyre drejt botës perëndimore.Ndër këta ndihmës, të parët dhe më të dobishmit për sulltanët ishin pikërisht Rasianët, të cilët fazën e fundit të dobësimit dhe të shthurjes së Bizantit e shfrytëzuan për t’u forcuar në kurriz të tij. Me ta do të lidhen aleancat më të qëndrueshme, të cilat nga koha e Bajazitit I e këndej, të shumtën, do të shkojnë në dëm të të krishterëve të Ilirikut, por edhe të krishterimit katolik në përgjithësi.

Ç’është e vërteta, lidhjet e Rasianëve me Osmanët kishin filluar më herët. Kjo tumir vlerësimin se historia e ekspansionit osman në Ilirik ishte një histori e bashkëpunimit të tyre me të krishterët e ritit ortodoks, që mbështetej mbi shëmbëllesën e perandorëve bizantinë (Kantakuzeninit) si dhe përvojën e tyre me Osmanët në pjesët lindore të Perandorisë nga fillimet e shekullit XIII e këndej, që ua hapën rrugën pushtimeve të tyre të mëtejshme që u dinamizuan nga fillimet e shekullit XIV e deri në atë XV. Kështu, njësitë turke të mercenarëve në këto pjesë shfrytëzohen nga despoti rasian Millutin, duke i përdorur kundër ushtrisë bizantine. Disa burime flasin për rreth njëmijë e pesëqind ushtarë turq të fisit kuman që u vendosën në Rashë.(Më gjerësisht rreth mercenarëve osmanë në shërbim të despotit Millutin shih: Oikonomides, N: “The Turks in Europe 1300-1315 and the Serbs in Asia Minor 1313”, faqe 159-62 në  E. Zachariadou, bot, “The Ottoman Emirate 1300-1389”, 1993; Jireček, C: “Staat und Gesellschaft  in mittelalterischen Serbien”II, faqe 58).Përvojën e përdorimit të mercenarëve turq do ta shfrytëzojë edhe Stefan Dushani. Bëhet e ditur se Dushani kishte disa njësi kumanësh në ushtrinë e tij, me anën e të cilave bënte hesapë ta fitonte “kurorën” e Bizantit. Kjo nuk do të ishte jashtë një hesapi me Osmanët, të cilët mund të kishin interesa që në planet e tyre për të depërtuar këndej drejt zemër së Europës të fusnin në lojë lojtarë të përdorshëm, por të rëndësishëm njëherësh,  siç ishin Rasianët, të njohur për veprime të tilla. (Shih: Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2001, faqe 61; Mavramitis, L: “La Fondaton de l’empire serbe: le kralj Milutin”, Salonica 1978; faqe 72, Jireček, C:”Staat und Gesellschaft in mittelaterischen Serbien”, I, faqe 78).

Madje, disa burime të vonshme flasin për paralojën e atij hesapi, me të cilin duhej të ndikohej edhe në epilogun e Betejës së Dardanisë, ose një të ngjashme që do të kishte ndodhur para ose pas, në dobi të Osmanëve, që pastaj të përfitohet prej saj me lidhjen e një marrëveshjeje paqësore me Osmanët, me ç’rast, gjithnjë nën ombrellën Rasiane me të cilën do të zëvendësohet ajo e Bizantit, princat ortodoksë të Ilirikut, në përbërje të Perandorisë Osmane, do të mund t’i ruanin disa nga privilegjet e tyre, pa çarë kokën se çfarë do të bëhej me vendet katolike.(Rreth lidhjeve të Rasianëve tribalë me Osmanët para se të kenë filluar konfrontimet ushtarake me ta, por që do të vazhdojnë edhe pas betejës së Fushës së Dardanës, shih autorët e shumtë, ndër të cilët Jozef von Hamer: “Geschichte des Osmanischen Reiches”, 1827; Zinkesen J. W: “Geschichte des osmanischen Reiches in Europa”, Hamburg-Gota 1840-1863; Jorga, N: “Geschihte des osmanischen Reiches”, Gotha 1908-13; Dölger F:“Regester der Kaiserurkunden des oströmischen Reiches von 565-1453”, München-Berlin, 1965; Babinger, F: ”Geschihtsschreiber der Osmannen und ihre Werke”, Leipzig 1927; Forretr, L:”Handschriften osmanishscher Historiker in Instambul”;Ferjanočić B-Maksimovič, Lj: “Vizantijci i turci u vreme Kosovske bitke”, 1957;Новакович, С: “Срби и Турци XIV и XV века“, Београд, 1960;Malcolm, Noel: “Kosova një histori e shkurtër”, Prishtinë 2002, faqe 63-69; Bastov,S: “Die Türkischen Quellen des Laonikos Chalkandyrles”, München 1960, faqe 34-42; Chalcocondylae, Leonici: “Historarum Demonstrationes” I, Budapestini, 1922 dhe të tjerë, që hapjes së kësaj teze si dhe mbrojtjes së saj do t’i referohen me sjelljen e të birit të Lazarit, despotit Stefan, i cili qe ndër të parët që pranoi vasalitetin e Sulltanit dhe madje me ushtritë e tij mori pjesë në betejat e ardhshme të Osmanëve kundër Hungarezëve dhe Polakëve. Ngjashëm do të shfrytëzohet edhe sjellja e Gjurad Brankoviqit kur do të sabotojë Betejën e Dytë të Dardanës, siç do të shfrytëzohet më vonë edhe sjellja e Kraleviq Markut).Para historisë nuk mund të fshihet as fakti se po në betejën e Dardanës, forcat e një bujari rasian, të quajtur Dejanoviq, luftuan në anën e Osmanëve, siç pati edhe shumë vllahë nga principata e tij në anën e Osmanëve, praninë e të cilëve e vërtetojnë edhe burimet osmane.Nga kjo sjellje mund të nxirret përfundimi se te Osmanët, feudalët  dhe despotët ortodoksë dhe të tjerët që i takonin kësaj vetëdije, të përfshirë në luftëra të vazhdueshme me katolikët gjatë shekullit të fundit, jo rastësisht, shihnin “shpëtimtarin” e vetëm që mund t’i mbronte “nga rreziku katolik”, i cili nuk reshte së vepruari kundër tyre.(Më gjerësisht shih te  Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927).

Pa marrë parasysh ato që do ta përcjellin disfatën e të krishterëve të Ilirikut në Dardani, gjatë asaj beteje të stërmadhuar deri  te përmasat e mitit në shekullin XIX, që gjithsesi ka ndodhë, sjellja e Bajazitit ndaj të krishterëve të Ilirikut (Tribalëve rasianë, Bullgarëve, Rumunëve, Arbërve, Sllavëve, Grekëve dhe të tjerëve), tregon fare qartë se ai ishte i përqendruar te ata që ta shfrytëzonte forcën e tyre për vete, si kufi ndarës me Hungarinë. Kështu, Bajaziti, e ndiente si nevojë të domosdoshme që në Ilirik, në pjesën më vitale, të ketë një aleat në politikën e tij aktive ushtarake, në kohën kur synonte principatat selxhuke-turke në Azinë e Vogël, stabiliteti i të cilave po ashtu ishte i rëndësishëm, për t’u përqendruar në drejtim të Perëndimit.(Gjerësisht shih te  Pulaha: “Lufta shqiptare-turke” dëshmitë e Neshrit dhe të tjerëve, faqe 55, 76,93; Babinger, F: “Die Geschihtschreiber der Osmanen und Ihre Werke”, leipzig 1927.Për këtë Bajaziti I u pajtua që të dy djemtë e princit tribal Lazarit, i cili u pre nga shpata e tij, të jenë udhëheqës të principatës rasiane dhe të sundojnë sipas ligjeve, traditave dhe zakoneve të tyre.

Mirëpo ata detyroheshin t’i nënshtroheshin atij dhe të paguanin xhizjen (taksën e caktuar ndaj shtetit osman) dhe të kishin një numër të caktuar ushtarësh, në njësi të veçantë, që do të merrnin pjesë së bashku me ta (Osmanët) në Harujë. Sulltani, po ashtu u martua me vajzën e princit Lazar, Oliverën, e quajtur edhe Despina.Kjo krushqi u bë me miratimin e patriarkut dhe të klerit ortodoks dhe u dërgua në haremin e madh në Brusë, ku takoi bashkëshorte të panumërta me prejardhje fisnike, greke, franke dhe selxhuke.(Shih:Jiriček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, pjesa e dytë, Tiranë, 2010, faqe 153.)Stefani dhe Vuku u detyruan të paraqiteshin çdo vit në oborrin e Bajazitit dhe t’i shkonin në ndihmë me ushtri sa herë t’u kërkohej, siç bënin despot Konstantini, despoti Esau i Janinës, Angeli i Thesalisë dhe bashkëperandori i Bizantit, Manuel Paleologu.Burimet e  kohës bëjnë të ditur se Zigismundi i Hungarisë një pjesë të mirë të forcave të veta i kishte mobilizuar që të mbrohej nga “ekskursionet” e herëpashershme të trupave osmane dhe rasiane, të cilat bashkërisht vepronin në pjesët kufitare. Bëhet e ditur se në vitin 1390, Pani i Severinit dhe Magjistari Ladislav zunë plaçkë në Branicevë flamurë osmanë dhe rasianë.Sjellje të ngjashme zuri të tregonte edhe Vuk Brankoviqi, zotërimet e të cilit  shtriheshin në pjesën nga Zveçani, Prishtina e deri në Shkup, gjë që nuk është e rastësishme që në burimet folklorike shqiptare njihet Ujkan, ndërsa në ato osmane (defterët Vlk), që i përgjigjet trajtës shqipe Uk-Ujkan.

Pasi që nga Raguza të ketë kërkuar azil për veten, gruan Mara dhe tre djemtë (Gjuradin, Gjergjin dhe Lazarin, në rast se “do ta dëbonin Hungarezët ose Turqit apo dikush tjetër” dhe do t’i jepet në maj të vitit 1390), Brankoviqi ua dorëzoi Shkupin Osmanëve, si dhe Zveçanin, Prizrenin dhe një pjesë të mirë të zotërimeve në këto anë. (Shih:“Acta Albaniae, II, 467, burime II, nr 131; Da Lezze: “Historia turchesca”, f.8;  Jireček, K: “Historia e Serbëve“, faqe 155.)Kështu, qyteti i vjetër dardan, që vetëm para dy brezash kishe qenë pikënisje e pushtimeve rasiane në Dardani dhe Maqedoni, u bë një mbështetje kryesore e pushtimeve osmane kundër Veriut, por edhe Jugut.Në këtë rrugë, më 1394, Osmanët u morën Gropajve Ohrin. Rrënuan thuajse të gjitha kështjellat që mbanin ata në këto anë (të Strugës, të Pogradecit e të Starovës). Osmanët u sollën kështu edhe gjatë pushtimit të Janinës, të Korçës dhe të Përmetit.Edhe pushtimet e tyre në Veri (nga Zveçani për në Shkodër e Ulqin, pastaj për në Dejë e Krujë), ndoqën thuajse të njëjtën mënyrë veprimi, por këtu Osmanët kishin parasysh ruajtjen e pasurive (minierave), të cilat duhej t’i shfrytëzonin për nevojat e tyre.

Në kështjellën e Zveçanit, u vendos një “kefali” turk, ndërsa në minierën e hekurit në periferi të Rashës, u emërua kadiu i parë që ta mbikëqyrte dhe drejtonte atë.Megjithatë, pushtimet osmane në Veri nuk kaluan pa vështirësi dhe pa konfrontime ushtarake, gjë që nuk kishte ndodhur në pjesët që zotëronte Vuku, për të cilin, siç u tha më herët kishte lidhur vasalitet me Osmanët për të ruajtur zotërimet e tij në Dardani, por edhe pse fitonte peshë shumë më të madhe seç e kishte nën mbikëqyrjen e Rasianëve, sado që  ky hesap nuk do t’i dalë, pasi që Osmanët për arsye të njohura që lidheshin me organizimin e pushtetit perandorak në pjesët e pushtuara, vendosën që nga vitit 1420 t’i shuanin që të gjitha lidhjet e tilla vasale në këtë pjesë. (Shih: Fine: “Late Medival Balkans”, faqe 411-12; Čirković:“Kosovo u srednjem veku“, faqe 45; Babinger, F: „Die Geshichtschreiber der Osmanen und ihre Werke“, Leipzig 1927; Enmmert, T.A: „Serbian Golgotha: Kosovo, 1389“, New York, 1990).Kështu, Osmanët u desh të konfrontohen me Balshajt para se ta merrnin Ulqinin, ku ata kishin rezidencën e tyre si dhe Shkodrën. Bëhet e ditur se në vitin 1391 Gjergj Balsha kërkoi mbështetje nga Papa Bonifici IX, por kjo nuk i ndihmoi shumë. Meqë kishte rënë peng në duart e Bajazitit, do të lirohet një vit pasi që ai ta dorëzojë Shkodrën, Drishtin dhe portin e Shëngjinit. (Shih: Hamer, Jozef von: “ Geschichte des Osmanischen Reiches”, vëllimi II, faqe 175 dhe 183; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, f.179-181).

Fisniku tjetër, Dimitër Jonina, nuk ndoqi rrugën e Balshës. Pranoi vasalitetin osman dhe kështu ia doli të ruante zotërimet e tij midis Shkodrës dhe Durrësit, të cilat, për pushtuesit e rinj, kishin një rëndësi të madhe.Krahas Gjergj Balshës, që u detyrua dhunshëm të pranonte vasalitetin dhe Jonimës, i cili nëpërmes tij ruajti zotërimet e veta, ishin Dukagjinët (vëllezërit Progon dhe Tanush), të cilët, në verën e vitit 1393, Lezhën ia dorëzuan një admirali venedikas, i cili vendosjes së Osmanëve në Bunë, iu përgjigj me pushtimin e grykëderdhjes së Drinit.Kjo do të zgjasë deri në vitin 1402, kur pushtimet osmane në vendet e Arbrit ndalen për dhjetë vjet. Shkas për këtë ishte beteja e Ankarasë e atij viti, me ç’rast trupat osmane pësuan disfatë të thellë nga ushtritë mongole të udhëhequra nga Timurlengu. Në këtë betejë, me Bajazitin ishin edhe vëllezërit Stefan dhe Vuk Lazareviq dhe nipërit e tyre, vëllezërit Brankoviq, vasal të sulltanit. (Shih: Chalconcandylae, Leonici: “Historiarum Demonstrationes”, ed. S. Darko, Budapestini, 1922; Giese, F: “Die Altosmanischen Anonymen Chroniken”, II, Leipzig 1925; Kandić, J: “Despot Stefan Lazarević i turci“, Beograd, 1982 Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).Pas vdekjes së Bajazitit I sapo i kthyer nga robëria njëvjeçare  nga Timuri në Aksheher të Frigjisë së vjetër, për një dekadë të tërë Osmanët u përfshinë në një luftë të brendshme për fron të të bijve të sulltanit. Në atë luftë u përfshinë edhe vasalët e tyre: Lazareviqët në anën e Musait, ndërsa  Brankoviqë në anën e Mehmetit I me nofkën “kyrishxhi” (mundësi), i cili nga Azia do t’i drejtohet pjesës europiane të Perandorisë, ku edhe do të dalë fitimtar, pasi që do ta vrasë vëllanë, Musanë në betejën Filipojës në korrik të vitit 1413.(Shih: Inhalxhik, Halil: “Perandoria Osmane – periudha klasike 1300-1600”, Shkup, 2010).Nën drejtimin e Mehmetit I (1413-1421), Osmanët sërish iu kthyen Ilirikut për të vazhduar ku kishte mbetur Bajaziti I. Mehmeti I, i këshilluar nga ndihmësit e tij kryesorë në Ilirik, Brankoviqët dhe feudalët tjerë ortodoksë, që e ndiqnin atë, e kishte të qartë se vendet e Arbrit duhej paqësuar në tërësi, meqë ato kishin një pozitë të rëndësishme për krijimin e kohezionit të brendshëm antiosman në Ilirik siç kishin edhe aftësi dhe prirje për lidhje me perëndimorët, me të cilët mund të lidhnin aleanca për t’u kthyer në mbështetës të tyre në këtë pjesë. Kjo, Osmanëve, do t’ua rrezikonte qëllimet që  kishin drejt Europës Qendrore.

Se disa nga Arbrit ishin në gjendje që gjërat t’i ndryshonin ashtu që të mos u shkonin përshtati Osmanëve, kjo tashmë ishte parë gjatë dekadës së krizës që kishte përfshirë Osmanët pas humbjes nga Timurlengu, kur ata kishin filluar t’i zgjeronin feudet e tyre, siç ishte rasti i  Niketas Thopias, i cili, pas fundit tragjik të Konstantin Balshës, kishte vënë në zotërim pronat e tij, që si vasal i venedikasve zotëronte Krujën (1402-1415). Po ashtu në Mat, shfaqej feudali Gjon Kastrioti, i cili ia kishte dalë që brenda një kohe të shkurtër të bëhej zot i tokave nga kepi i Rodit në Durrës, Lezha dhe Shkodra si dhe të mbikëqyrte rrugët për në Prizren dhe Shkup. Si qytetar i Venedikut dhe Raguzës, si shumica e fisnikëve dhe feudalëve Arbërorë të Veriut, Gjon Kastrioti, lëkundej midis dy kishave, asaj katolike dhe ortodokse, me të cilat mbante lidhje të mira. Kështu, krahas mbështetjes klerikëve dhe abacive katolike, njëherësh me dhurata mbulonte edhe manastiret e Hilandarit me të cilin kishte edhe lidhje të hershme.(Shih: Jireček, Konstantin: “Historia e Serbëve“, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 173.)

Gjon Kastrioti, në fillim ishte vasal i Venedikut, por shpejt iu desh t’u nënshtrohej Osmanëve (1410), të cilët, sapo iu kthyen Ilirikut, vunë në shënjestër princat arbërorë dhe lidhjet e tyre me Venedikasit dhe Perëndimin. Kështu, Mehmeti I, duke ruajtur aleancën me princat ortodoksë (rasianë, bullgarë dhe grekë), të cilët jo vetëm që i kishte vasalë të besueshëm, por edhe bashkëveprues në të gjitha fushatat kundër Hungarezëve, Bosnjës dhe të tjerëve, nuk e kishte të vështirë që edhe princat dhe feudalët Arbërorë t’i fusë në radhën e vasalëve. Tek e fundit, edhe arbërorët ishin pjesë e kozmosit të paqëndrueshëm politik të Bizantit.Në këtë fushatë, krahas nënshtrimit të Arbërve, Mehmeti I kishte parasysh që edhe më tutje t’i forconte aleatët dhe vasalët kryesorë, Rasianët pa përjashtuar këtu edhe Paleologun dhe Grekët. Kështu, Mehmeti I, despotit Stefan ia dhuroi Koprianin në Nish, krahinën Znepolje në Tërn, në malet midis Nishit dhe Sofjes dhe disa pjesë të tjera. Po kështu perandorit vasal të Bizantit, Manuel iu kthyen qytetet e marra prej Musait. (Shih: Schreiner, P: “Die Byzantinischen Kleinkroniken und die Anastik beri den Südslaven”, Bulgarian Historicval Rewiew 6-1978, faqe 45-54).Edhe midis Rasianëve tribalë dhe Grekëve u krijuan lidhje edhe më të ngushta.

Nipi i despotit, Gjergj, u martua për të satën herë me Irenën nga familja e Kantakuzenëve. Kështu, Grekë të panumërt hynë në shërbim të Rasianëve, ndër të cilët edhe vëllai i Irenës, Tomas Kantakuzeni. (Shih: Serb. Annalen, Glasnik 53, 80;  dhe Новакович, С: “Срби и Турци XIV i XV века“, Београд, 1960.)Por, dinastët ortodoks rasianë, që tashmë ishin mbështetësit kryesorë të Mehmetit I dhe dora e djathtë e tij, po ashtu ishin të interesuar që fushata osmane, që tashmë ishin forcuar, të rrënonin edhe aleancat me Venedikun, ose që kur kësaj nuk i dilej, atëherë ata të shfaqeshin mbikëqyrës të këtyre aleancave, gjë që kishin edhe përkrahjen e Osmanëve, të cilët aleatët e tyre rasianë, tashmë i kishin kthyer në partnerë kryesorë në Ilirik.Në këtë mënyrë, Osmanët vepruan në Novobërdë. Në vitin 1412 e sulmuan atë dhe e mbajtën të rrethuar, por së fundit ia lanë në pronësi një pinjolli të familjes së Lazarit. Me vdekjen e Niketë Thopisë, në fillim të vitit 1415, Osmanët pushtuan Krujën. Gjatë vitit 1417 i morën Beratin Teodor Muzakës dhe Kaninën bashkë me Vlorën Rugina Balshës. Kurse në vitin 1418, pushtuan Gjirokastrën, qendrën e Zenebishëve.Këto pushtime u bënë në kohën kur Mehmeti I, edhe pse pësoi humbje nga venedikasit në një betejë detare para Galipolit (1416) dhe u detyrua të bënte një paqe me ta. Kjo len për të kuptuar se Osmanët kishin arritur një marrëveshje me venedikasit rreth shtrirjes së tyre në viset e Arbrit, me ç’rast ata do të mbanin pjesët në brendi, ndërsa venedikasit qytetet bregdetare.Pinjolli i fundit i familjes Balsha, i cili tashmë kishte humbur shumë nga zotërimet, nën mbështetjen e dajës, despotit Stefan Lazareviq dhe njerkut Sandaljit, u hodh në luftë kundër Venedikasve, të cilët u përfshinë në një luftë për zgjerimin e pushtimeve në Adriatik me Zigmundin e Hungarisë, me ç’rast Hungarezët dolën humbës, ndërkohë që Republika e Adriatikut u vendos në Split,Trogir dhe në ishujt Braç, Korçula dhe Lesina në mënyrë që kështu të fusë nën mbikëqyrje edhe Kotorin. (Shih: Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia Balshaj”, Tiranë 2029,  faqe 173-170).

Balsha u detyrua të sulmojë Venedikun pas shtatë vjetësh dhe të rrethojë kështjellën e Drishtit. Venedikasit u kundërpërgjigjën me pushtimin e Budvës. Kështu, lindi nevoja për bisedime paqësore, por ato, siç ishin paraparë nga despoti, Stefan Lazareviq, të cilin Balasha që nuk kishte djalë, e kishte caktuar si trashëgimtar, do të zhvillohen pa Balshën dhe nën drejtimin e Rasianëve, pasi që Balsha i sëmurë, vdiq më 28 prill 1421 dhe u varros solemnisht nga Stefani.(Shih: Stanojević: Arch. Slav. Phil. 18 (1896), 459; Gelcich, Giuseppe: “Zeta dhe dinastia e Balshajve”, Tiranë 2009, faqe 322-341; K. Jireček: “Historia e Serbëve”, libri i dytë, Tiranë, 2010, faqe 186.)Vdekja e Balshës sikur i dha fund lavdisë së njërës ndër dyert më të fuqishme princore arbërore nga veriu, e cila për më shumë se gjysmë shekulli ishte e pranishme në një skenë politike ku kryqëzoheshin interesat e Bizantit dhe të Perëndimit në njërën anë dhe ato me Osmanët në tjetrën anë.Edhe pse Balshajt nuk ia dolën që të përballojnë sfidat e kësaj përpëlitjeje ndër më të mëdhatë e kohës, megjithatë me veprimet që të luhet  nga njëra anë në tjetrën, qoftë edhe si humbës, ia dolën që faktorin arbëror, ta fusin në një lojë të madhe, në të cilën, feudalët dhe princat tjerë, kush më shumë e kush më pak, u përfshinë në të. Dhe kjo do të paraqesë aktin e fundit të një ndeshjeje historike që do t’i paraprijë pushtimit shumëshekullor osman.Ky akt, të cilit, vulën e fundit do t’ia japë Sulltan Mehmeti II pushtuesi pak më vonë, do të pasohet nga Murati II, që erdhi në pushtet pas vdekjes së të et, Mehmetit I (1421).

Murati II, i bindur se beteja vendimtare për të depërtuar tutje në Perëndim duhej të kalonte nëpër Arbëri, u vu vetë në krye të fushatës ushtarake, ndër më të mëdhatë e kohës. Ushtria e tij komandohej nga gjenerali i sprovuar Isa Bej Evrenozi. Pas disa luftimeve, me humbje të dyanshme, Osmanët fituan. Kjo bëri që në pjesët e jugut të vendosej regjimi i timareve, me çka i jepej fund autonomisë së deriatëhershme feudale, që kishte karakterizuar rrethanat bizantine, mbi të cilat ishin ngritur edhe feudet dhe principatat e pavarura jo vetëm te Arbrit, por edhe në pjesët e tjera.(Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954; Fashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 45).Rrënimi i principatave të pavarura të Arbrit (Balshajve, Thopijave dhe Muzakave), megjithatë,  u përcoll me ngritjen e  të tre zotimeve të tjera të mëdha feudale: të Dukagjinëve, Arianitëve dhe Kastriotëve. Këto zotime përfshinin krahina malore dhe në gjirin e tyre kishin një popullsi me tradita të lashta luftarake, ku bujkrobërit përbënin pakicën, kurse shumicën dërmuese e formonin fshatarët e lirë, të cilët nuk i njihnin marrëdhëniet feudale dhe kishin gjetur një modus vikendi me bujarët vendorë. (Shih: Frashëri, Kristo: “Skënderbeu”, Tiranë 2002, faqe 46).Si rrjedhim, fshatarët e lirë të Arbërisë ishin më të interesuar se bujk-robërit të luftonin  kundër invazionit feudal-ushtarak. (Shih: Inhalxhik, H: “Suret-i Defter-i Arvanid”, Ankara, 1954.)Edhe Dukagjinët, Arianitët dhe  Kastriotët me zotimet e tyre, ndonëse do të kalojnë nëpër një fazë kur Osmanët tashmë ndodheshin në procesin e mbylljes së vasalitetit dhe të vendosjes së pushtetit të plotë, u përpoqën që të përfitojnë edhe nga rrethanat e tilla, të cilat ishin jo premtuese. Atyre nuk u ndihmoi as “arti” i përpjekjeve të lidhjeve të vazhdueshme me perëndimorët (veçmas me Venedikun), të cilët përfitonin edhe në këto rrethana.

Megjithatë, nga gjithë kjo, Dukagjinët ia dolën që të ruajnë disa zotime “të pavarura” në pjesët malore të veriut, nën emrin “Krahina e Dukagjinit” në Dardaninë antike. Ngjashëm ndodhi edhe me Arianitët, të cilët humbën shumë nga zotimet por, ruajtën namin e fisnikërisë, që do të bartet edhe më vonë në kujtesën historike nga kronika të jashtme.(Rreth Arianitëve dhe historisë së tyre shih gjerësisht te Babinger, Franz: “Fundi i Arianitëve”, Tiranë 2004; “Kronika e Gjon Muzakës” te Xhufi, Pëllumb: “Nga Paleologët te Muzakajt”, Tiranë 2009, faqe 365-457).Ngjashëm ishte edhe me Kastriotët dhe zotërimet e tyre, që sado të rrudhura, do të zënë vend kyç në historinë e Arbërve dhe të Arbërisë në saje të ngjarjeve që në atë trevë do ta kenë nga viti 1443, kur aty do të zë fill epopeja e lavdishme skënderbegiane, që do të zgjasë për çerek shekulli, kur Skënderbeu me luftën kundër osmanëve, ktheu në histori shtetin e Arbrit, të vetmin asokohe në Europë.Fushata për  nënshtrimin e Arbërve do të ishte jo e plotë pa fundin e Dardanisë,  pjesës kyçe që lidhte lindjen me Perëndimi, ku gjendeshin edhe xeheroret e shumta. Atje, nën drejtimin e mbetjeve të fundit të despotëve  të Rashës  dhe me ndikimin e tyre do të vendoset edhe fati i një pjese të madhe të Dardanisë, që Osmanët ua kishin lënë aleatëve të tyre, Brankoviqëve (Vukut) në përbërje të despotatit të tij që kishte pranuar vasalitetin osman, prej tyre i quajtur Vlk-oglu. Historianët turq Sadedini, Neshri dhe Ashikpashazade, në kronikat e tyre, flasin për “Vilajetin Vlk” dhe vasalin VLK-oglu, të cilët historiografia serbe e shekullit XIX i fikson si Lazareviq dhe Brankoviq, sidomos këtë të fundit, me ç’rast “Vilajetin VLK”  (Kosovën), e quan “Oblast Brankoviqa”, që po të zbërthet gjuhësisht “Vlk” do të thotë “Ujk” ose “Ukë”, që i përgjigjet patronimit “Ujkan”, të përhapur në gjuhën shqipe. Rasti i “Vilajetit VLK” dhe emërtimi i tij “Oblast Brankoviqa”, duke e përkthyer emrin “Ujk” ose “Ukë” në “Vuk”, tregon më së miri përmasat e falsifikimit të historiografisë serbe për ta sajuar me çdo kusht të ashtuquajturin shtet mesjetar serb me qendër në Kosovë me “despotë serbë”, gjoja të legjitimuar edhe nga osmanët, kur e gjitha flet për një feudal ortodoks nga Dardania, nga shumë burime të kohës i cilësuar si tribal,  emri i të cilit shpjegohet me gjuhën shqipe! (Shih te Nikolić, Maja: “The byzanine Writers on Serbia 1402-1439“, Beograd, 2010, faqe 41).

Megjithatë, në këto vende, që kishin një rëndësi të veçantë ekonomike, pasi që në to gjendeshin minierat e njohura të Novobërdës dhe Zveçanit, gjatë viteve 1394 -1444, Osmanët  vendosën nëpunësit dhe ushtarët e tyre për t’i mbikëqyrur prodhimet e tyre, të cilat nuk mund të shkonin, si më parë në drejtim të Raguzës apo Venedikut, por t’i dorëzoheshin arkës së shtetit osman. Në këto pjesë, deri sa do të bëhet pushtimi përfundimtar nga Osmanët, në vitin 1455, “bashkëjetonin” pushteti vendor i Vukut (Vlk-oglut) me atë osman, por ky i fundit kishte fjalën kryesore.(Shih: K. Jiriček-J. Radonić: „Istorija Srba“, I, Beograd, 1952, faqe 369,422).Pjesa më e madhe e Dardanisë, në veri të Shkupit dhe të Tetovës, ra nën sundimin osman në kohën e Sulltan Mehmetit II Pushtuesit (1451-1481), ndonëse asokohe Kruja e Skënderbeut mbahej. Natyrisht, cak i pushtimeve osmane ishin xeherorët e njohura të Novobërdës, Zveçanit dhe të Gllahovicës (kjo e fundit e pasur me hekur). Disa burime bëjnë të ditur se “sulltani kishte grumbulluar ushtrinë islame dhe ishte nisur në luftë të shenjtë nga Shkupi, prej nga do të kalojë kah mali Kara Tonlu (Karadaku i Shkupit) për në Novobërdë. Novobërda, të cilën xehetarët sasë e quanin Neuberge, ndërsa Italianët Novomonte, kishte një kështjellë të fortë dhe disa vendbanime xehetarësh përreth.

Aty gjendej kolonia kryesore e raguzianëve, por banohej edhe nga Italianët, sidomos venedikasit. Aty banonin edhe shumë bujarë vendorë, të cilët prej andej mbikëqyrnin nxjerrjen e xeheve dhe përpunimin e tyre, por edhe dërgimin në vendet e tjera.Meqë këto xeherore ishin të rëndësishme, sulltani kishte vendosur që t’i vinte nën mbikëqyrje të plotë, kështu që këtë duhej ta bënte me ushtri, edhe pse bujarët vendorë edhe më tutje dëshironin t’u përmbaheshin marrëveshjeve që kishin lidhur me Osmanët në vitin 1441 për shfrytëzimin e përbashkët. Isa-beu, i cili me një pjesë të ushtrisë kishte arritur përpara sulltanit aty, thirri komandantin vendor që të dorëzohej me vullnet. Pasi kjo nuk u bë, sulltani u nis vetë me pjesën tjetër të ushtrisë të sulmojë Novobërdën. Menjëherë filloi rrethimi, që zgjati dyzet ditë. Pas disa bombardimeve, kur po rrënoheshin muret mbrojtëse të kështjellës, më një qershor 1455, qyteti u dorëzua. Një pjesë e mirë e parisë së qytetit u shua, ndërsa një pjesë e të rinjve, 320 sish, u morën për jeniçerë. (Shih: Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 145.)

Thuhet se aty osmanët kishin gjetur thesar të shumtë (sasi e madhe e argjendit) që e ruante i biri i Vukut, thesar ky që ishte dërguar në arkën e Stambollit.(Shih:Rizaj, Skënder: “Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVIII”, Prishtinë, 1982, faqe 20.)Rënia e Novobërdës, që merrej si fortesë e botës së krishterë katolike, në Itali dhe në Hungari u prit me përshtypje të hidhura. Dhespot Gjuragj Brankoviqi mësoi lajmin e humbjes më 21 qershor në Hungari, në tubimin e bujarëve në Rab, ku përgatiteshin plane të mëdha për një fushatë të forcave të krishtera kundër Osmanëve.(Shih:Zachariadou, E.A: „Süleman çelebi in Rumili and dhe Ottoman chronicles“, Der Islam, 60/ 1983, faqe 269-296 dhe Babinger, Franc: “Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”, Prishtinë, 1989, faqe 146.)Pa çarë kokën se çfarë kishin ndërmend të krishterët, Sulltan Mehmeti me forcat e tij kishte vazhduar në drejtim të kështjellës së Trepçës, e pushtuar pa ndonjë mund të madh. Edhe aty ishte gjetur pasuri e madhe. Me Trepçën ishin pushtuar edhe xeheroret e tjera të argjendit. Pasi që kishte qëndruar për pak kohë në (shehitllëk) – vendin ku ishte vrarë Sulltan Murati I, Sulltani Mehmeti ishte kthyer në Selanik dhe prej andej në Edrene.

(Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinë 2021).

Oliver Verhelyi: Udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Një udhërrëfyes shtesë për liberalizimin e vizave për Kosovën paralajmëroi komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, në debatin që u zhvillua të hënën në Parlamentin Evropian. Temë e diskutimit ishte zgjerimi i bllokut pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, njofton Radio Evropa e Lirë.

Përveç deputetëve nga Parlamenti Evropian, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate dhe të kandidatëve potencialë.

Derisa u fol për Ballkanin Perëndimor, Varhelyi tha se Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje.

Ai tha se janë disa fusha, si lufta kundër krimit të organizuar, anti-trafikimi dhe kërkesat për azil, ku “shtetet anëtare duan rezultate të qarta”. “Në këto kohëra të vështira dhe në kontekstin e ndryshimeve gjeo-politike, prioriteti ynë mbetet Ballkani Perëndimor”, tha Varhelyi.

“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, shtoi ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në. Qeveria e Kosovës thotë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim. Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, Varhelyi tha se të dyja vendet duhet të dëshmojnë përkushtim të qartë në kryerje të detyrave. “Po shohim se Serbia është në një pozitë të vështirë në rrethanat dhe sfidat ekzistuese gjeo-politike. Duhet ta pranojmë këtë. Çështja e sanksioneve [kundër Rusisë] është vetëm një prej simptomave të problemeve. Ne jemi krejtësisht të gatshëm ta mbështesim Serbinë në përshtatjen e mëtejme me politikën e BE-së, lidhur me luftën e Rusisë në Ukrainë. Por, kemi nevojë që edhe Serbia të marrë obligime të reja”, tha Varhelyi.

Serbia, aleate e Rusisë, është vendi i vetëm në Ballkan që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Varhelyi u bëri thirrje vendeve të rajonit që ta rrisin edhe bashkëpunimin mes vete, nëse, siç tha, duan të përfitojnë nga plani për investime dhe ekonomi i Bashkimit Evropian. “Pa një bashkëpunim të duhur rajonal, qoftë përmes Procesit të Berlinit, qoftë përmes tregut të përbashkët rajonal apo iniciativës së Ballkanit të Hapur, shtetet e rajonit, thjesht, nuk mund t’i gëzojnë përfitimet e planit të investimeve në Ballkan”, tha zyrtari i lartë evropian.

Duke folur për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, Varhelyi tha se, brenda ditësh, do të mund të zhvillohet konferenca ndërqeveritare e BE-së me këto dy vende. Ai tha se “të gjitha pengesat janë hequr”, duke përmendur këtu votimin në Kuvendin e Bullgarisë për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Bullgaria, me vite, ka penguar ecjen përpara të Maqedonisë së Veriut, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën. Javën e kaluar, Parlamenti bullgar ka votuar për heqjen e kësaj pengese, në bazë të një propozimi të Presidencës së Francës, por nuk është e qartë se si do të zhvillohen gjërat, pasi Maqedonia e Veriut, fillimisht, e ka hedhur poshtë atë propozim.

Shqipëria ka mbetur pas në hapjen e negociatave, sepse disa shtete të BE-së nuk duan që ajo të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Verhelyei tha se ka sinjale pozitive për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Bosnje e Hercegovinës, që është përmendur edhe në konkluzat e samitit të fundit të BE-së në Bruksel, por shtoi se ky shtet duhet t’i përmbushë paraprakisht disa reforma.

Për Malin e Zi, ai tha se në BE presin rikthimin e dialogut të brendshëm politik dhe stabilitet institucional.

Kryetari i Komisionit për punë të jashtme në Parlamentin Evropian, David McAlister, tha se ky debat është në një moment shumë të duhur, pas vendimit në samitin e fundit të BE-së – të mbajtur javën e kaluar – për t’i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë. Javën e kaluar në Bruksel është mbajtur edhe një takim i përbashkët i liderëve të vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Deputeti nga Kroacia, Tonino Piculla, i cili është emëruar si raportues i një strategjie të re të zgjerimit të BE-së, tha se BE-ja duhet të japë po ashtu shembuj konkretë për të avancuar zgjerimin me Ballkanin Perëndimor.

“Samiti i fundit i BE-së krijoi një valë të re të apatisë në Ballkanin Perëndimor. Vetëm me nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe me heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, BE mund të dëshmojë se në vazhdimësi, e jo vetëm në raste periodike, është në nivel të sfidave dhe faktor i rëndësishëm gjeo-politik”, tha Piculla.

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit evropian. Negociatat për anëtarësim i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së tyre, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Nis të zbatohet marrëveshja Kosovë-Serbi për energjinë

Kompania Elektrosever që do të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës u licencua nga zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE). Këtë e bëri të ditur ZRRE, pas votimit të bordit me pesë vota për dhe asnjë kundër. Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Licencimi i Elektrosever në Kosovë u bë vetëm tri ditë pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila u nënshkrua në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Në fakt në parim marrëveshja për energjinë ishte nënshkruar qysh në vitin 2013, por, që të fillojë të zbatohet, palët u pajtuan me 21 qershor në Bruksel.

Më shumë se dy dekada pa paguar energjinë

Që nga viti 1999 pas përfundimit të luftës, qytetarët serbë të katër komunave veriore, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, nuk paguajnë faturat e enegjisë së shpenzuar. Kryesuesi i Bordit të ZRRE-se, Ymer Fejzullahu, tha të premten se tani qytetarët e katër komunave në veri – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do të faturohen me çmimet që i ofron kompania furnizuese, Elektrosever.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, që nënshkroi zbatimin e marrëveshjes në Bruksel, deklaroi se “kompania Elektrosever, nuk do të prodhojë rrymë, por do ta blejë atë, qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar, ndërsa inkasimin do ta bëjë vetë.

Sulmohet Elektrokosmet në veri

Vetëm tri ditë pas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë në veri u sulmua me një mjet shpërthyes objekti i Elektrokosmet-it në veri të Kosovës. Sipas policisë, si pasojë e shpërthimit është dëmtuar një transformator dhe disa automjete përreth, ndërsa, lëndime në njërëz nuk pati.

“Prokuroria ka nisur hetimin dhe në pritje të ekspertizës përfundimtare mund të konfirmojmë se shpërthimi është shkaktuar nga një lëndë plasëse. Prokurori i shtetit urdhëroi vazhdimin e hetimeve të premten në mëngjes, ndërsa është hapur rast për tre vepra penale që ndërlidhen me incidentin: shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armëve apo mjeteve të rrezikshme, shkatërrimi apo dëmtimi i pronës dhe posedim i paautorizuar i armëve luftarake”, tha prokuroria.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svecla, në një reagim të tij, bëri përgjegjës “strukturat paralele serbe në veri për sulmin mbi objektin e Elektrokosmet”. “Ka pasur një shpërthim ku ka dëme materiale. Nuk ka të lënduar. Qëlimi është që të terrorizohen banorët atje, por edhe të ngjallin pasiguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ministri Svecla duke shtuar se “kjo është në vazhdën e presioneve që strukturat paralele dhe Serbia i bëjnë Kosovës”. Sulmin me mjet shpërthyes ndaj objektit të elektro-distribucionit në Mitrovicën e Veriut e dënoi edhe Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës në Kuvend.

Përmes një komunikate për media, kjo parti tha se “ky sulm dhe ngritja e tensioneve janë kundër interesave të komunitetit serb në veri të Kosovës”. Lista Serbe u bëri thirrje organeve kompetente të hetojnë rastin dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve. / DW

Osmani konfirmon pjesëmarrjen në Samitin e BE: E vetmja që më duhet Vizë për në Bruksel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në intervistë për median holandeze NRC, mes tjerash foli për pjesëmarrjen e saj në Samitin e BE-së në Bruksel që zhvillon punimet sot dhe nesër.

Në fakt të enjten, në këtë Samit, do të flitet për Ballkanin perëndimor e ku pritjet janë që do të diskutohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovë. Në lidhje me këtë, presidentja Osmani ka thënë se në këtë Samit, niset me shpresë, por pa pritje të mëdha, njofton RTK Live.

“Unë shkoj gjithmonë atje me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, citohet të ketë thënë Osmani, për NRC. Presidentja e shtetit ka theksuar se mungesa e liberalizimit të vizave për kosovarët është një padrejtësi e madhe.

Ajo më tej ka përmendure dhe shtetet që e kanë fituar këtë të drejtë para Kosovës edhe pse Kosova kishte plotësuar nëse jo para tyre, së paku krahas tyre.

“Qytetarët nga Ukraina, Gjeorgjia, vende të ndryshme të Amerikës Latine lejohen të udhëtojnë lirisht. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për të marrë pjesë në samitin në Bruksel”, thotë Osmani.

“Është një padrejtësi e madhe: diskriminim ndaj popullatës sonë. Ne jetojmë në një geto”, ka theksuar ajo.

“Ne kemi bërë detyrat tona të shtëpisë”.

Presidentja u është referuar raporteve ndërkombëtare në të cilat Kosova ka rezultate të mira për zhvillimin demokratik, siç është liria e mediave dhe të drejtat e njeriut. Në intervistë, Osmani ka shprehur besimin e saj se lufta në Ukrainë do të përfundojë dhe se vala e re zgjerimit të BE-së do ta përshijë Ukrainën, por edhe Kosovën. syri.net

Kurti takon aktivistë dhe gazetarë nga Serbia

Takimi i Kryeministrit te Kosoves, Albin Kurti me aktivistë të shoqërisë civile të Serbisë. Prishtinë, 21 qershor 2022.

RFE/RL

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe “Ballkani i Hapur” ishin ndër temat e diskutimit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati me aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë dhe përfaqësues të disa organizatave joqeveritare të Serbisë.

Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, më 21 qershor, kryeministri Kurti priti në takim dhe bashkëbisedoi me aktivistë të shoqërisë civile nga Serbia.

“Lidhur me dialogun me Serbinë, pas ndryshimeve demokratike të 14 shkurtit 2020, ka pësuar ndryshime edhe qasja në dialog. Tani dialogu nuk është i kornizuar në kohë dhe ka në qendër njohjen e ndërsjellë, e jo siç është zhvilluar në të kaluarën me kompromise të vazhdueshme nga Kosova, që bëheshin për të marrë njohjen nga Serbia dhe njohja nuk ndodhi. Nuk ndiqet më politika e transaksioneve sikurse në të kaluarën, por ajo e transformimit me vullnet të lirë”, tha Kurti.

Sa i përket mospërfshirjes së Kosovës në projektin “Ballkani i Hapur”, Kurti tha se nuk është përkrahës i ideve, që e mbajnë Ballkanin Perëndimor të mbyllur në rrethin e vet apo që e afrojnë më shumë me Rusinë dhe Kinën, por është për projekte që e hapin dhe e lidhin me vlerat e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Kosova e mbështetë tregun e përbashkët rajonal dhe Procesin e Berlinit sipas rregullave të Bashkimit Evropian.

Takimi i Kryeministrit te Kosoves, Albin Kurti me aktivistë të shoqërisë civile të Serbisë. Prishtinë, 21 qershor 2022.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Kosovë dhe qasjes së pushtetit qendror ndaj serbëve, kryeministri Kurti tha se komuniteti serb gëzon të drejta dhe liri të garantuara dhe se është i hapur të diskutojë për të gjitha problemet e komunitetit serb në Kosovë.

“… por pengesë kryesore në bashkëpunim paraqesin instrumentalizimi dhe tendencat manipuluese nga politika në Beograd”, u shpreh Kurti.

Kurti foli, gjithashtu, për të arriturat gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij, ku ndër tjera përmendi ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin e Transparency International për vitin 2021, si dhe ngritjen për 17 vende në indeksin e World Press Freedom për liri të shprehjes dhe të mediave.

“Në Kosovë është dëshmuar se qeverisja demokratike dhe zhvillimi ekonomik shkojnë krahas njëra-tjetrës, gjë që i demanton idetë se ekonomia mund të zhvillohet më shumë dhe më shpejt me qasje autoritare nga pushteti”, tha Kurti.

Takimi u zhvillua në kuadër të programit të Grupit për Ballkanin për “Zgjidhjen e çështjeve bilaterale dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor”, i cili parasheh mbajtjen e konferencave dhe aktiviteteve që lidhen me shkëmbimin e vizitave reciproke të shoqërisë civile dhe aktivistëve me peshë në tërë rajonin.

Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Erik Grondahl.

Foto e javës të çlirimit: Ambasadori Jeff Hovenier me rastin e ditës të çlirimit të Kosovës takohet me një nga simbolet e kësaj lufte!

Ambasadori Jeff Hovenier në një tweet sjell takimin me një nga simbolet e brutalitetit të luftës në Kosovë, është fjala për atë nënën e re që me gjirin e hapur ushqen foshnjën ndërsa largohen nga Kosova për t’i shpëtuar ushtrisë kriminele të Milosheviçit, fotografia e saj botuar në Times do të mbetet si dëshmi e historisë. Ambasadori i SHBA në Kosovë Jeff Hovenier sjell foton e Times dhe foton që ka patur me atë gruan sot, bashkë me familjen e saj, djali bebe tashmë është i rritur e ka mbushur 23 vjeç. Ja çfarë shkruan në tweet Ambasadori Jeff Hovenier:

“Ishte kënaqësi të takova Sherife Lutën dhe familjen e saj në festën e Ditës së Paqes më herët sot. 23 vjet më parë, Sherife u bë fytyra e një lufte brutale pasi ajo dhe fëmija i saj u larguan nga Kosova. Sot ata janë të sigurt dhe të shëndetshëm. Sherife është në të djathtën time me kostum jeshil. @KOHA”

 

Kosovë – Shqipëri, sot mbledhja e përbashkët e dy qeverive

Sot në Prishtinë mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive. Në prani të kryeministrave Albin Kurti të Kosovës,  Edi Rama të Shqipërisë, si dhe kabinetit qeveritar të të dy vendeve respektive, sot në Prishtinë mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, njofton RTK.

Në këtë mbledhje e cila është e teta me radhë, pritet të nënshkruhen një varg marrëveshjesh dypalëshe dhe protokolle të ndryshme bashkëpunimi.

Kjo mbledhje e përbashkët pritet të shrbejë edhe si skanim i marrëveshjeve paraprake për të parë se cilat nga ato që janë nënshkruar vitin e kaluar janë realizuar e cilat ende jo.

Kjo pasi në nëntor 2021 në Elbasan ishte mbledhja e përbashkët e dy qeverive.

Para kësaj mbledhje, një ditë më parë në Kosovë për vizitë zyrtare erdhi kryeministri Rama i cili zhvilloi disa vizita në biznese të ndryshme në vend si dhe vizitoi familjen e ish presidentit Hashim Thaçi në Burojë të Skenderajt.

 

Kurti dhe Cavusoglu diskutuan për shumë fusha të bashkëpunimit

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka njoftuar për takimin që shefi i Qeverisë e pati me ministrim e Jashtën të Turqisë, Mevlut Cavusoglun.

Siç njofton ZKM, Kurti e ka quajtur Turqinë mik dhe aleat të madh të Kosovës.

“Republika e Turqisë është partner, mik dhe aleat i madh i Republikës së Kosovës, tha kryeministri Kurti, ndërsa shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë”, njofton Zyra e Kryeministrit.

Sipas Qeverisë, Cavusoglu e theksoi para Kurtit mbështetjen e Turqisë për Kosovën në disa sfera.

“Ministri Çavuşoğlu theksoi mbështetjen e Republikës së Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, sikurse edhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ai tha se Turqia e mbështet anëtarësimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës dhe se Kosova është vend partner i NATO-s. Po ashtu, theksoi se Republika e Turqisë e  ka shumë të rëndësishme paqen dhe stabilitetin  dhe se nuk do të lejojë që rajoni i Ballkanit të kthehet në vitet e errëta të ’90-ta”, njofton ZKM.

Ministri turk, njoftohet se vlerësoi “marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve”.

“Duke potencuar stabilitetin institucional dhe indikatorët pozitiv ekonomik, kryeministri Kurti ritheksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social, dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit. Ai veçoi synimin e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s ndërsa theksoi mundësitë për rritje të bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri”, thuhet në njoftim.

Kurti dhe Cavusoglu diskutuan për shumë fusha të bashkëpunimit në ekonomi, energji, siguri dhe mbrojtje.

“U vlerësuan lidhjet e shumta mes dy vendeve, duke veçuar ato mes qytetarëve, që janë një urë për marrëdhëniet e forta dypalëshe”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Aktivisti i PSD: Rama njihet si tradhtar në Kosovë! Ja pse u kris marrëdhënia e tij me Kurtin

Aktivisti i PSD Bardh Ahmeti komentoi në edicionin e pasdites me Armela Ferkon në Syri Tv mbledhjen që do të mbahet mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë ditën e nesërme në Prishtinë. Ahmeti deklaroi se mbledhja e nesërme do jetë si ato të kaluarat, mbledhje formale që mbahen prej vitesh.

Ai theksoi se politika në Kosovë e quan Ramën tradhtar dhe zëdhënës të qeverisë së Serbisë. Sakaq, ai theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën më të dobët që kanë qenë ndonjëherë.

“Gjendemi në një pikë ku raportet mes dy vendeve janë në pikën më të dobët. Mund të flas më shumë për klimën në Kosovë, ka reagime të eksponentëve kryesorë të qeverisë në Kosovë që reagojnë ndaj Ramës.

Zv.kryeministri bëri një shkrim ku e cilësoi Ramën tradhtar. Ndërsa një tjetër e quan Ramën zëdhënës të qeverisë serbe. Ka një thyerje të madhe.”-tha Ahmeti.

Sa i përket marrëveshjeve që përflitet se do nënshkruhen mes palëve, aktivisti Ahmeti tha se nuk ka asnjë angazhim që këto marrëveshje të konkretizohen dhe finalizohen.

Klima është e tensionuar, sulme vazhdimisht ndaj njëri-tjetrit. Rama nga takimet me ‘Open Balkan’. Rama-Kurti janë njohur si miq të mirë, ka pasur takime të shpeshta më herët.

Thyerja e madhe ndodhi në dy momente. Kur Rama emëroi ministër Gent Cakën dhe Besa Shahinin, dhe momenti tjetër kur Kurti me partinë e tij kandidon në Shqipëri.”-deklaroi Ahmeti.

Avokate Kosovare Kelmendi: Babai im, Avokat Bajram Kelmendi e ka paditur Serbinë dy herë për gjenocid, me fakte dhe dëshmi te pakontestueshme

 

Kryeministrja e Serbisë, Anna Bërnabiç, e cila është shfaqur disa herë duke u përqafuar ngrohtë me Edi Ramën, këtë fundjavë foli me gjuhën e tij. Ajo mohoi që në Kosovë të ketë pasur ndonjë gjenocid serb, por foli vetëm për disa rrëmuja dhe trazira.

Duke folur në Samitin e Prespës, kryeministrja serbe tha se nuk ka asnjë dënim apo rast që lidhet me të ashtuquajturin gjenocid në Kosovë.

Por avokatja e njohur kosovare, Kosovare Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj saj. Duke kujtuar nënën e saj, ish-ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta, avokatja thotë se prindërit e saj kanë dorëzuar në Tribunalin e Hagës me qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët.

REAGIMI I PLOTE

“19 qershori e 25 marsi janë data të rënda për mua, sepse në këto data unë i humba më të dashurit e mi. Më 25 mars 1999, forcat policore të Serbisë m’i ekzekutuan babanë dhe vëllezërit me urdhër të Millosheviçit, kurse mamin ma lanë të gjallë, siç thoshte edhe vetë ajo, që ta mbysnin ngadalë nga dhimbja e vuajtja për ta.

Për aq sa jetoi pas vrasjes se tyre, ajo u kthye në simbol të qëndresës duke e kthyer dhimbjen personale në përkushtim dhe angazhim në ndërtimin e institucioneve shtetërore, sidomos atyre të drejtësisë dhe të sundimit te ligjit.

U nda nga ne përgjithmonë më 19 qershor 2011 dhe me vete mori dëshirën e parealizuar për vendosjen e drejtësisë për babanë dhe vëllezërit, si edhe për mijëra shqiptarë të vrarë nga regjimi i Serbisë.

Teksa tani dëgjoj udhëheqësit e Serbisë duke i mohuar krimet e veta në Kosovë, me duhet t’ua rikujtoj që prindërit e mi, si avokatë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut ishin ata që dorëzuan në Tribunalin e Hagës qindra dosje të krimeve të Serbisë mbi shqiptarët dhe se babai im e ka paditur Serbinë dy herë për gjenocid, me fakte dhe dëshmi te pakontestueshme.

Kjo ishte edhe arsyeja se pse e ekzekutuan. Pa kërkim faljeje dhe pa vendosjen e drejtësisë për mijëra shqiptarë të vrarë, dhe pa ofrimin e informatave për të zhdukurit me dhunë, Serbia të mos presë kurrë që do të mund të ketë raporte normale me Kosovën.

E marr guximin ta them ketë në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, sepse askush më shumë se ne nuk i ndien pasojat e politikave të saj gjenocidale mbi shqiptarët. Serbia m’i vrau prindërit e vëllezërit, por krenarinë për jetën dhe veprën e tyre nuk mund të ma marrë askush”.


Send this to a friend