VOAL

VOAL

Në veri sërish shfaqen afishe kundër riregjistrimit në RKS

Afishe të vendosura në një makinë në Mitrovicë të Veriut ku shkruan “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbetet”. 1 shtator 2022.

RFE/RL

Në Mitrovicë të Veriut sërish janë shfaqur afishe kundër riregjistrimit të makinave në targat RKS- Republika e Kosovës.

Në xhamin e përparmë të disa makinave janë parë afishe me mbishkrime “Nuk ka dorëzim, KM-ja mbet”, duke iu referuar targës KM (Mitrovicë e Kosovës) e cila lëshohet nga autoritetet e Serbisë dhe konsiderohet e paligjshme nga Kosova.

Po ashtu, simboli i Kosovës në disa targa të veturave është mbuluar me letra ngjitëse ku shkruan KM.

Targat e një makine në Mitrovicë të Veriut të mbuluara me një letër ngjitëse ku shkruan KM.

Targat e një makine në Mitrovicë të Veriut të mbuluara me një letër ngjitëse ku shkruan KM.

Më 1 shtator ka nisur afati prej 61-ditësh për riregjistrimin e veturave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – që përdoren nga qytetarët serbë në veri të Kosovës.

Kjo është hera e dytë që mesazhe të tilla shfaqen në Mitrovicë të Veriut, pasi për herë të parë ato u shfaqën më 30 korrik të këtij viti. Por, as kësaj radhe, Policia e Kosovës nuk ka bërë ndonjë njoftim për këto afishe.

Ndërkaq, gjatë muajit gusht, në Mitrovicë të Veriut u shfaqën grafite ku shkruante “Brigada e Veriut – Mos u shqetësoni, ne jemi këtu, po presim”.

Atëbotë, Policia në raportin e rregullt 24 orësh e identifikoi rastin e shfaqjes së grafiteve, por nuk ka treguar se cilat janë rezultatet e hetimeve të kryera.

Vlerësohet se në katër komunat në veri (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) qarkullojnë rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, sot u bëri thirrje serbëve që të konvertojnë targat në RKS, duke thënë se kjo do t’iu mundësojë lëvizje të lirë në mbarë territorin e Kosovës.

Sipas Kurtit, 401.945 vetura janë të regjistruara me targat RKS.

“Prej tyre, dhjetëra mijëra janë me pronarë të komuniteteve pakicë. Ato që duhet të konvertohen në targa RKS përbëjnë rreth 2 për qind të tyre”, tha ai.

Vendimet e qershorit të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe dokumentet serbe, u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri më 31 korrik dhe 1 gusht.

Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator. Por, në ndërkohë, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, arritën marrëveshje për dokumentet.

Në bazë të marrëveshjes për dokumentet, nga 1 shtatori qytetarët e Kosovës dhe Serbisë po hyjnë në shtetet e njëra-tjetrës, pa pasur nevojë që të pajisen me dokumente për hyrje/dalje.

A është zgjidhje regjistri publik i dhunuesve?

Protesta në Prishtinë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. 31 gusht 2022.

Doruntina Baliu

Rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, më 27 gusht, nxiti thirrje për krijimin e një regjistri publik me të dhënat e personave të dënuar për krime seksuale në Kosovë.

Të dyshuar për dhunimin e së miturës aktualisht janë pesë persona – që të gjithë të ndaluar nga policia.

Rasti shkaktoi protesta dhe zemërim, si në rrugë, ashtu edhe në rrjetet sociale, ndërsa dorëheqje dhanë drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe udhëheqësi i Drejtorisë për trajtimin e të burgosurve dhe të miturve në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Ali Gashi.

Protestuesit që dolën në rrugë, thanë se frikësohen për sigurinë e fëmijëve të tyre në hapësira publike, pasi dhunimi i 11-vjeçares dyshohet të ketë ndodhur në një park në Prishtinë.

“Kur do të vijë në pushtet ai politikan/e që do të guxojë të rregullojë me ligj publikimin në regjistër publik të emrave të dhunuesve që dënohen me aktgjykim final”, shkroi në Facebook juristja nga Kosova, Flutura Kusari.

 

Thirrje të ngjashme bëri edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF.

KOMF tha se, viteve të fundit, ka pasur rritje të vazhdueshme të numrit të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve në Kosovë, por nuk dha ndonjë shifër krahasuese.

“KOMF kërkon krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe, rrjedhimisht, ndalimin e qasjes së tyre te fëmijët”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni, të publikuar më 30 gusht.

Të dhënat e Policisë së Kosovës për periudhën janar-korrik të vitit të kaluar flasin për 59 raste të raportuara të dhunimit seksual, ndërsa në të njëjtën periudhë të këtij viti janë regjistruar 41 raste.

A mund të krijohet në Kosovë regjistri i dhunuesve seksualë?

Sipas autoriteteve dhe ekspertëve të drejtësisë në Kosovë, një regjistër publik i personave të dënuar për krime seksuale, me legjislacionin aktual, është vështirë të bëhet.

Në botë, ndërkohë, ekzistojnë modele të krijimit të regjistrave të tillë.

Sipas një ankete globale të Departamentit amerikan për Drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër vendet e para dhe të rralla, ku listat e këtyre personave janë tërësisht të hapura për publikun dhe ku ekzistojnë kufizime të ndryshme për personat e dënuar, edhe pasi ata ta kanë vuajtur dënimin.

Në shumë vende të Evropës, regjistrat e personave të dënuar për krime seksuale ekzistojnë, por janë të hapur vetëm për organet e rendit.

Në disa vende të Ballkanit, si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe së voni Shqipëria, ekzistojnë regjistra publikë të personave të dënuar për krime seksuale.

Në vitin 2010, Këshilli i Evropës – ku Kosova ka aplikuar për anëtarësim – ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës ka inkurajuar shtetet anëtare që të mos krijojnë regjistra të tillë të hapur për publikun, por vetëm për organet e rendit.

“Duhet siguruar që çdo legjislacion i respekton plotësisht të drejtat individuale, në veçanti të drejtën për jetën private, dhe për këtë arsye e kufizon qasjen në regjistrin e personave të dënuar për krime seksuale vetëm për zyrtarët”, thuhet në këtë rezolutë.

 

Çfarë thotë ligji në Kosovë?

Sipas Ministrisë së Drejtësisë në Kosovë (MD), mundësia për krijimin e një databaze publike të personave të dënuar për krime seksuale varet nga Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.

Sipas kodit të ri, i cili, sipas MD-së, pritet të hyjë në fuqi së shpejti, gjykatat obligohen t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet online, brenda 60 ditësh nga nxjerrja e tyre.

Përjashtim bëjnë rastet e veprave penale kundër integritetit seksual dhe rastet kur të miturit janë të përfshirë si palë.

Sipas MD-së, gjykatat mund të marrin vendim për publikim të aktgjykimit për veprat e lartcekura vetëm “në raste shumë të veçanta” dhe me arsyetim të fortë për interesin publik.

Përcaktimin e “rasteve shumë të veçanta” e bën gjykata.

“Gjykata mund të urdhërojë publikimin e aktgjykimit kur çmon se publikimi është në interes të përgjithshëm, të të dëmtuarit ose të personave të tjerë”, thuhet në nenin 66 të Kodit Penal.

Lavdim Makshana, nga Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD), që merret me monitorimin e punës së organeve të drejtësisë, thotë se edhe aktgjykimet që publikohen në Kosovë, janë anonime.

“…pra, kryesve të veprave penale iu dihen vetëm inicialet. Kjo përjashtohet kur me rastin e shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj kryesit të veprës penale, shqiptohet dënimi plotësues”, thotë Makshana.

“Jo do të thotë Jo”

Me brohoritjet “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, në Prishtinë u protestua kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave. Protesta u thirr nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pasi u bë publik rasti i dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë nga pesë të dyshuar.

Gjykuar nga hulumtimet e IKD-së, thotë ai, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë punë në ndjekjen efektive të krimeve seksuale, edhe nëse nuk bëhet regjistri publik i të dënuarve për krime të tilla.

“IKD, gjatë monitorimit sistematik, ka gjetur se në këto raste [të krimeve seksuale], organet e drejtësisë nuk kanë proceduar me efikasitet të plotë… Zvarritje procedurale janë shfaqur vazhdimisht”, thotë Makshana.

Dënimet që shqiptohen nga gjykatat lidhur me këto raste “shpeshherë janë të ulëta dhe natyrisht që me dënime të ulëta nuk arrihet as qëllimi i dënimit”, shton ai.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë po ashtu se zvarritja e lëndëve është problematike në trajtimin e rasteve të krimeve seksuale.

“[Ndonjëherë] kur lënda del në shqyrtim, vetëm se kanë kaluar mbi dhjetë vjet… Në disa raste viktima tërhiqet, apo edhe gjykatësit shpeshherë e shohin si faktor lehtësues [kalimin e shumë viteve] dhe ata [të akuzuarit] nuk marrin dënim meritor”, thotë Breznica për Radion Evropa e Lirë.

Rasti i SHBA-së dhe “problemet” me regjistrin publik të dhunuesve

Duke qenë vendi i parë në botë me regjistër publik dhe të qasshëm të personave që kanë kryer krime seksuale, modeli i SHBA-së, sipas ekspertëve, nuk është pa probleme.

Wayne Logan, profesor i Juridikut në Universitetin e Floridës, thotë për Radion Evropa e Lirë se SHBA-ja përdor një qasje “shumë ndëshkuese” ndaj personave që kryejnë krime seksuale.

Secili shtet në SHBA, thotë ai, ka regjistrin e vet të personave të dënuar për krime seksuale.

Në shumë juridiksione, Logan thotë se të dënuarit kanë kufizime edhe rreth vendit ku mund të jetojnë.

“Për shembull, ata nuk mund të jetojnë në një distancë prej një mijë metrash nga një shkollë ose një qendër rekreacioni”, thotë Logan, autor i librit “Dituria si fuqi”, i cili flet për regjistrat e kriminelëve në SHBA dhe ndikimin e tyre në jetën në Amerikë.

Sipas Loganit, “ka shumë pak prova shkencore sociale, që e mbështesin pikëpamjen se [regjistrat publikë të kriminelëve seksualë] promovojnë siguri publike”.

“Në fakt, ekziston një besim se vështirësitë e krijuara nga regjistrat e qasshëm publikisht, nxisin recidivizmin [përsëritjen e veprës], për shkak të stigmatizimit, të të cilësuarit publikisht kriminel seksual”, thotë Logan.

“Kjo e bën shumë të vështirë riintegrimin në komunitet. Stigmatizimi mund të ndikojë negativisht edhe në anëtarët e familjes, përfshirë fëmijët e të regjistruarve”, shton ai.

Për më tepër, thotë Logan, ligji në SHBA është i bazuar në “të dhëna të pasakta”.

“Së pari thirren në idenë se personat e panjohur sulmojnë më së shumti viktimat. [Por] realiteti është se përqindja më e madhe e krimeve seksuale bëhen nga personat që e njohin viktimën”, thotë Logan.

Duke qenë se regjistri publik përfshin vetëm personat që kanë kryer krim seksual dhe janë dënuar për të, Logan thotë se ai regjistër nuk e ndihmon publikun të njoftohet me kriminelë potencialë, që mund ta kenë kryer atë vepër, por që nuk janë dënuar ende.

Logan thotë se vendet evropiane, në përgjithësi, “ofrojnë mbrojtje më të madhe të privatësisë [së kriminelëve seksualë]”.

Shtetet e BE-së, si Franca e Gjermania, mbajnë regjistra të brendshëm për personat që kanë kryer krime seksuale, pa i shpërndarë me publikun.

Organizata ndërkombëtare që merret me të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW), ka vlerësuar në vitin 2007 se regjistrat e tillë publikë mund të bëjnë “më shumë keq sesa mirë”.

Për rastin e SHBA-së, HRW ka thënë se “ligjet e dedikuara për kriminelët seksualë, mund të mos i mbrojnë fëmijët nga krimet seksuale, por të çojnë në ngacmim, stigmatizim dhe dhunë ndaj personave të dënuar”.

Krerët më të lartë të shtetit të Kosovës e kanë dënuar ashpër dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë dhe kanë bërë thirrje për “dënim meritor” të autorëve.

Aktualisht, të pesë të dyshuarit për veprën përballen me një muaj paraburgim.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime dhe sulme të tjera seksuale.

Protestuesit hedhin ngjyrë të kuqe edhe në objektin e Qeverisë

Policia e Kosovës me trupa kanë bllokuar dyert e kryeministrisë.

Kjo pasi disa protestues tentonin të hynin brenda.

Protestuesit kanë gjuajtur ngjyrë të kuqe në objektin e Qeverisë, njëjtë vepruan edhe para Ministrisë së Shëndetësisë.

Më pas protestuesit u qetësuan dhe vendosën të ulën aty pranë policëve.

Ata po kërkojnë drejtësi për dhunimin makabër të 11 vjeçares nga  pesë persona në Prishtinë.

Protestuesit kanë kërkuar nga kryeministri të bëjë veprime e jo vetëm të shkruaj statuse në rrjetet sociale ku e dënon aktin e dhunës.

Mijëra njerëz janë grumbulluar në protestë për të kërkuar drejtësi.

Protesta për të kërkuar drejtësi për rastin e dhunimit të 11 vjeçares ka vazhduar edhe para Ministrisë së Drejtësisë, përpos nëpër sheshet e Prishtinës.

E në Ministrinë e Drejtësisë është hedhur ngjyrë e kuqe, si shenjë proteste për 11 vjeçares.

Protesta ka grumbulluar mijëra njerëz në sheshet e Prishtinës.

Ata po kërkojnë drejtësi dhe po bëjnë thirrje para institucioneve që të ndërmarrin veprime Express

Gërvalla në Forumin e Bledit: Nuk kërkojmë privilegje, na pranoni si anëtar të këtij unioni

Kryediplomatja kosovarem Donika Gërvalla po merr pjesë në Forumin e Bledit, e cila po zhvillohet në Slloveni. Ky forum mbledh së bashku liderët e rajonit dhe vendeve të tjera evropiane.

Në këtë forum, Gërvalla ka thënë se Kosova nuk po kërkon privilegje e as rrugë të shkurtra, por të bëhet anëtare e këtij unioni.

“Ne nuk kërkojmë privilegje apo rrugë të shkurtra, por kërkojmë që të na vlerësoni me vlerat që i keni për vete dhe të na lejoni të bëhemi anëtarë të këtij unioni në momentin kur ne përvetësojmë të njëjtat vlera”, është shprehur kryediplomatja e Kosovës.

Në Forum po merr pjesë edhe emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk ka alternativë dhe se ndihma e BE-së në atë proces është e vetmja përgjigje për krizën e ardhshme ekonomike.

Sipas tij, BE-ja duhet të bëjë shumë për të thjeshtuar procesin.

“Por shumë më tepër punë duhet bërë nga qeveritë e shteteve në anën e tyre për të bërë të mundur procesin e integrimit, ndërkohë që disa shtete dështojnë të përmbushin fare detyrimet e tyre”, deklaroi Escobar.

Opozitarët i kërkojnë Kurtit që mos të merret me marrëveshje teknike, por me atë finale

RFE/RL

“I diskutuam edhe detajet e dialogut dhe besoj që është një bashkëpunim i shtuar që jep shpresë edhe për më shumë komunikim të ndërsjellë”, tha kryeministri Albin Kurti pas takimit me dy liderët e partive opozitare në Kosovë.

Por, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se ftesa për takim ishte e vonuar dhe se më shumë mori informacione nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, sesa nga Kurti. Ai dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thanë se i kanë kërkuar Kurtit që mos të merret me marrëveshje teknike, por të fokusohet në atë finale.

“Për dialogun partitë opozitare janë informuar më në detaje nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në masë shumë më të thellë – sesa na njoftoi sot kryeministri”, tha Abdixhiku.

“Dialogimi i copëzuar, pjesë-pjesë, është vetëm i Serbisë dhe jo i Kosovës. Sa më shumë që Kosova mirret me marrëveshje teknike, sa më gjatë që mbesim në këtë proces, Kosova ushqen status quo-n”, tha Abdixhiku.

Ndërsa Haradinajt, ai ka shprehur mbështetjen për Qeverinë për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila, sipas tij duhet të jetë gjithëpërfshirëse, obligative për njohje reciproke.

“Ja kam tërhequr vërejtjen Kurtit për strategjinë e Serbisë që të shkohet në marrëveshje një nga një dhe rrezikun që nëse njëherë Serbia arrin ndonjë sukses në marrëveshjen e Asociacionit, që të zhduken nga tavolina, pra të mos vazhdojnë fare më dialogun”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kurti duhet të kërkojë që dialogu me Serbinë të bartet në Uashington, përkatësisht të jetë nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Rrethanat politike, gjeostrategjike kanë ndryshuar. BE-ja nuk është më neutrale, është në luftë me Rusinë, njësoj si e gjithë bota e përparuar. Mendoj se tani është koha që edhe Kurti të kërkojë zyrtarisht që portofolin e dialogut ta kalojë te presidenti i SHBA-së, Biden. Sepse në këtë mënyrë do të sigurohej jo vetëm arritja e marrëveshjes, por edhe garanca për implementim”, tha Haradinaj për gazetarët.

Kur u pyet nga gazetarët për akuzat e opozitarëve për transparencë, Kurti tha se u ka dhënë informacionet relevante opozitarëve, dhe se edhe ai po punon për marrëveshjen finale.

“Unë besoj që nuk ka informacion të rëndësishëm që është mbajtur prej nesh, krejt cfarë është relevante tashmë është ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacion tjetër relevant që ua kanë dhënë ndërmjetësit, mbase do të duhet që ata të tregojnë që cili është ai informacion”, tha ai.

Ftesën për takim e ka refuzuar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha të hënën se me Kurtin do të takohet vetëm kur procesi i dialogut të ketë, sic tha ai, avancim dhe diskutim konkret.

Kurti i ftoi krerët e partive opozitare parlamentare në takim për ta diskutuar për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurti: Reciprocitet, nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen

I pyetur pas takimit, nëse do të ketë dokument të të shkruar për marëveshjen për letërnjoftimet, Kurti tha se “nuk ka dokumente përcjellëse”.

”Pra, vetëm tregohet karta e identitetit dhe do të duhej që qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ta bëjë këtë lirisht. Njësoj bën edhe qytetari i Serbisë që hyn në Kosovë”.

Sipas tij nëse Serbia vazhdon të lëshojë dokumentin për hyrje-dalje, njësoj do të veprojë edhe Kosova.

“Nëse rastësisht Serbia vazhdon me leshu dokumente të tilla [për hyrje-dalje] atëherë do të detyrohemi edhe ne ta vendosim këtë dokument”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 27 gusht që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve, bëri të ditur shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Krerët në Kosovë thanë se reciprociteti është thelbi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, ndërkaq zyrtarët serbë nënvizuan se kjo marrëveshje nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia

Kosovë, jep dorëheqjen Drejori i Policisë për rastin e përdhunimit të 11 vjeçares

Samedin Mehmeti – Faqja zyrtare e Policisë së Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti dha dorëheqjen të martën, një ditë pas publikimit të rastit të përdhunimit të një 11 vjeçareje në Prishtinë.

Njoftimi i bë i ditur nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se zoti Mehmeti e dha dorëheqjen për arsye personale dhe për ndërgjegje profesionale.

Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti e ka liruar nga detyra zotin Mehmeti.

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar pesë persona si të dyshuar për përdhunimin e një vajze të mitur 11 vjeçare në Prishtinë.

Katër prej tyre do të mbahen në paraburgim për një muaj, ndërsa personi i pestë është duke u intervistuar nga policia.

Tre prej të dyshuarve janë të mitur. Policia i ka identifikuar të arrestuarit me inicialet E.R, G.R, G.J dhe XH.S.

Prokuroria Themelore e Prishtinës i tha Zërit të Amerikës se rasti ndodhet në proces hetimor dhe i takon procedurës për të mitur, dhe se “kufizimi i dhënies së informatave bëhet me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe të identitetit të të miturve”.

Ngjarja që dyshohet se ka ndodhur të shtunën në një park të qytetit, është denoncuar nga familja e viktimës. Ngjarja nxiti reagimin e institucioneve dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të cilat kanë venë alarmin për numrin e lartë të përdhunimeve dhe shkallës së ultë të ndëshkueshmërisë.

Grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile mbajtën të martën një protestë dhe kanë paralajmëruar protesta për të mërkurën duke kërkuar dënime për dhunuesit dhe legalizimin e përdorimit të mjeteve vetmbrojtëse nga gratë dhe vajzat.

Haziri i përgjigjet pozitivisht Kurtit: Momentum i ri në negociatat Kosovë-Serbi, urgjentisht një dialog pozitë-opozitë

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri sheh një “momentum të ri” në dialogun Kosovë – Serbi pas marrëveshjes për dokumentet në pikëkalimet kufitare. Ai tani propozon një dialog të brendshëm pozitë – opozitë, teksa paradite Kurti i ftoi liderët opozitarë në një takim, raporton Gazeta Express.

Në këtë fazë, Haziri tha se duhet të ndalet retorika e luftës, pasi sipas tij fokusi ndërkombëtar “po çon drejt një zgjidhje të kërkesave për njohje reciproke”.

“Përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet. Në këtë fazë, mesazhi është që duhet të ndalet retorika e luftës, retorika që sjell konflikt, sepse jo shpeshherë në proceset politike na ndodh që të krijohen rrethanat politike ku fokusi ndërkombëtar po çon drejt një zgjidhje të kërkesave që janë për njohje reciproke, pa opsion tjetër”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Megjithatë, ai nuk i beson Qeverisë së Kosovës në këtë proces. Ajo, sipas tij, “nuk është e gatshme për këtë sepse ka pasiguri e mungesë kapacitetesh në këtë përbërje që e ka”.

“Është nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm për këtë me pjesëmarrje të pozitës e opozitës dhe shoqërisë civile. Krejt kjo për t’i dhënë oksigjen politik negociatorit, në interes të Republikës”, shkroi Haziri.

Kryeministri Albin Kurti, sot nga mbledhja e partisë së tij tha se i ka ftuar liderët e partive opozitare në një takim, ku tha se do t’i informojë për procesin e dialogut. Ai tha se dallimet mes vete nuk duhet ta tejkalojnë interesin shtetëror e kombëtar.

I shkon në zyrë edhe QUINT-i, Kurti prezanton elemente nga propozimi i tij për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.

Sipas komunikatës së ZKM’së, Kurti prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

“Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë e falënderuan Kryeministrin Kurti për angazhimin pozitiv dhe konstruktivitetin në takimet në Bruksel”, thuhet në komunikatë.

Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen për targat, për zhvillimet politike në vend si dhe situatën politike në rajon.

Po ashtu, u ritheksua përkushtimi për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. Express

Lajçak në Mitrovicën e Veriut: Nuk mund të ketë më barrikada

Nga e majta: ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022.

RFE/RL

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës.

“Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale… Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut.

Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet.

“Ka aq shumë spekulime rreth këtij procesi”, tha ai.

Diplomati evropian nuk komentoi as deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 1 shtatori do të nisë zbatimi i vendimeve për targa dhe dokumente udhëtimi, por tha se “po punohet që të mos ketë barrikada”.

“Unë jam optimist, duhet të jem optimist. Ne duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale dhe e zakonshme”, tha Lajçak.

Escobar tha shkurtimisht se “misioni vazhdon në Beograd” dhe se ai shpreson të bëjë një deklaratë në Beograd – sot më vonë ose nesër.

As Lista Serbe – subjekti më i madh serb në Kosovë, përfaqësues të të cilit morën pjesë në takim – nuk u prononcua për media.

Përfaqësuesit e Listës Serbe - subjektit më të madh opozitar serb në Kosovë. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022.

Përfaqësuesit e Listës Serbe – subjektit më të madh opozitar serb në Kosovë. Mitrovicë e Veriut, 25 gusht 2022.

Escobar dhe Lajçak nisën vizitën në Kosovë më 23 gusht. Ata takuan fillimisht presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas kryeministrin Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës.

Qëllim i vizitës së tyre është thënë të jetë evitimi i përsëritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë atje janë rebeluar më 31 korrik, pasi Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për riregjistrimin e makinave të tyre me targa të Kosovës, si dhe për lëshimin e dokumenteve të Kosovës për të gjithë serbët që hyjnë në Kosovë.

Pas tensionimit të situatës dhe sugjerimit të bashkësisë ndërkombëtare, Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve të saj për 1 shtator.

Escobar tha të mërkurën – pas takimit me udhëheqësit institucionalë dhe të partive opozitare në Prishtinë – se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe të dokumenteve serbe.

Ai tha se është siguruar se askush nuk dëshiron përshkallëzim të situatës apo dhunë më 1 shtator. Lajçak e tha të njëjtën gjë.

Përfaqësuesit e serbëve nga katër komunat e veriut të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – miratuan të mërkurën një deklaratë, përmes së cilës, paralajmëruan braktisjen e mundshme të institucioneve të Kosovës, nëse nuk gjendet zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje.

Ata thanë se ia kanë lënë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “ta zgjidhë çështjen me kompromis”.

Gjithashtu të mërkurën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se targat KS – neutrale ndaj statusit të Kosovës – nuk mund të kthehen, ashtu siç kërkon Beogradi.

Ai përsëriti se automjetet me këto targa do të duhen të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Sa u përket dokumenteve për hyrje/dalje, Kurti tha se alternativa më e mirë do të ishte heqja e plotë e tyre, si për qytetarët e Kosovës kur hyjnë në Serbi, ashtu edhe për qytetarët serbë që hyjnë në Kosovë.

Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë sot për në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për targa dhe dokumente, Kurti dhe Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por pa arritur ndonjë rezultat konkret.

 

Escobar dhe Lajçak presin propozime konkrete nga Kosova dhe Serbia

Zyrtarët perëndimorë, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, në Prishtinë më 24 gusht 2022.

RFE/RL

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thanë se takimet që po realizojnë në Prishtinë, janë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.

Pas takimit me krerët institucionalë të Kosovës, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe.

“Të dy palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim dhe dhunë më 1 shtator. Tani ne jemi këtu që të sigurohemi që ky vullnet i shprehur dhe i gjithë optimizmi të përkthehet në një propozim konkret”, tha Escobar për mediat, pas takimeve që zhvilloi në Presidencë dhe Kryeministri të Kosovës.

Escobar përsëriti se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe Kosovën e Serbinë për të gjetur zgjidhje, siç tha ai, “për këto çështje të vështira”.

“Detajet se si shkohet përpara i përkasin dialogut, por unë desha të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë se vizioni im është të tregoj mbështetje të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Escobar.

Lajçak: Nuk duhet të lejojmë përsëritjen e tensioneve

Ndërkaq, Lajçak tha se ka pasur takime të mira dhe të detajuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se këto takime po bëhen për të parandaluar që të përsëriten tensionet, sikurse më 31 korrik.

“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, tha Lajçak.

Gjatë 24 gushtit, Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe me liderët e partive opozitare në Kosovës.

Ndërkaq, përmes një postimi për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina asnjëherë nuk ka kontribuar në rritjen e tensioneve.

“Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, shkroi Osmani në Facebook pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun.

Më herët gjatë të mërkurës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se pret që 1 shtatori – dita kur duhet të nisë zbatimi i vendimeve për targat dhe dokumentet serbe – të jetë një ditë normale. I pyetur lidhur me barrikadat e mundshme që mund të ngriten atje, ai tha se kjo është çështje e organeve të rendit.

Dy zyrtarët perëndimorë, Escobar dhe Lajçak, gjatë të mërkurës do të takohen edhe me liderët opozitarë të Kosovës.

Pas Kosovës ata do të qëndrojnë edhe në Beograd, për të synuar që të bindin palët që të arrijnë një zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kosova dhe Serbia, pa pajtim për targat dhe dokumentet

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe.
Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator.

Vendimi për targat kërkon që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq, vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.

Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje gjatë rundit të dialogut më 18 gusht, por BE-ja tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë, me qëllim që të arrihet një ujdi para 1 shtatorit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dëshiron që të arrihet një zgjidhje kompromisi, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje, nëse edhe Beogradi vepron njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 24 gusht se në takimin e 18 gushtit në Bruksel, kishte qenë BE-ja që kishte ofruar propozime për çështjen e targave dhe dokumenteve, e jo Serbia, siç kishte thënë më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka pretenduar se të gjitha propozimet serbe janë refuzuar nga Kurti.

Sa i përket çështjes së targave, Kurti tha se targat KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve në Kosovë.

Escobar takohet pasdite me Kurtin, kërkohet pajtjetër një marrëveshje me Serbinë

Kryeministri Albin Kurti do të takohet të mërkurën pasdite me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, bëjnë të ditur burime të Gazetës Express.

Takimi pritet të zhvillohet në orën 15:00.

Më pas, Escobar së bashku me ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier do të shkojnë në Zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë, aty ku emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak do të jetë nikoqir i një takimi me krerët e opozitës.

Escobar mbrëmë i mblodhi krerët e opozitës në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, në një takim që zgjati dy orë.

Gati një javë pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, është planifikuar që kryeministri Albin Kurti të flasë sot për takimin e 18 gushtit në Bruksel. Qeveria do ta mbajë një mbledhje në orën 11:00 dhe në fillim të saj Kurti do të flasë për takimin me Vuçiqin.

Zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi si masë reciproke me Serbinë u shty për 1 shtator dhe tensionet në veri të Kosovës u ulën disi. Por tani shtatori është afruar dhe deri të mërkurën e javës së ardhshme Kurti e Vuçiq pritet të vihen sërish përballë njëri-tjetrit për ta arritur një marrëveshje.

Gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen ta parandalojnë një konflikt në Ballkan, me NATO-n që ka deklaruar disa herë se do të intervenojë në rast nevoje.

SHBA bëri me dije së fundmi se është e gatshme të përfshihet edhe me artilerinë e rëndë, Sekretarin e Shtetit. Për ta arritur një marrëveshje, Antony Blinken nuk do të hezitojë që të paktën t’i thërrasë në telefon Kurtin dhe Vuçiqin, ka konfirmuar zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Rundi i fundit i dialogut nuk është konsideruar i mbyllur në BE deri sa të mos gjendet një zgjidhje.

Deklarata e Javës: Vjosa Osmani: Shteti i Kosovës është laik! Respektoj Kushtetutën dhe vlerat euroatlantike si fondamentale!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të kërkohej ndryshimi i Kushtetutës nëse Qeveria mendon ta zbresë në 16 vjet pragun për lejimin e mbajtjes së shamisë në shkolla.

E pyetur nga T7 për këtë çështje,zonja  Osmani tha se Kushtetuta e ka përcaktuar një parim themelor që është fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit.

“Në radhë të parë më lejoni të potencoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë, vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Republikës së Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut.

Kjo kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Republikës së Kosovës të respektohet ky parim”.

Në qoftë se çështjea e shamisë lidhet me të drejtën e votës, Osmani tha se atëherë kjo “do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Çështja e dytë që e ka përcaktuar qartë kjo kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut. Kurse çështja e tretë që dua ta potencoj është fakti që për dallim nga shumë kushtetuta anekënd botës që nuk ia lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, tek ne ekziston kjo mundësi”, ka thënë Osmani.

Kështu, në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, Osmani kujtoi se “ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri tek Gjykata Kushtetuese”.

“Si presidente e vendit do të vazhdojë të kërkojë që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundamentale”, tha ajo./GazetaExpress

 

Kosovë, hetim organizatave serbe të ekstremit të djathtë me emra princash të Mesjetës

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion. “Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Për çfarë paralajmëroi Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë në fund të marsit se rreth dhjetë organizata të ekstremit të djathtë nga Serbia, po përpiqen të destabilizojnë situatën e sigurisë në Kosovë, por ai nuk pati dhënë informacione më të detajuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 8 gusht, ai gjithashtu nuk ka dashur të zbulojë se për cilat organizata bëhet fjalë, duke shpjeguar se nuk dëshiron t’i bëjë të famshme duke ua përmendur “emrat e princërve nga Mesjeta”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se këto grupe aktivizohen publikisht në festa, siç është 28 qershori, kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

“Ata, duke mos qenë në përputhje me ligjin, një situatë si konflikti ua sjell lirinë e dëshiruar dhe gjithashtu bëjnë aktivitet në rrjetet sociale. Ne, me gjithë kapacitetet që kemi, i luftojmë ata, përballemi me ta”, ka thënë Kurti.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it në kërkesën për të marrë listën e organizatave për të cilat ka folur Kurti, dhe as nëse në Kosovë ndalohet aktiviteti i organizatave të djathta nga Serbia.

Ismail Hasani, sociolog nga Prishtina, dhe Predrag Petroviq nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, vlerësojnë se grupet e djathta nga Serbia mund të kontribuojnë në rritjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe të sjellin trazira dhe shqetësim shtesë mes njerëzve.

Të dy ekspertët nënvizojnë gjithashtu se aktivitetet e grupeve të ekstremit të djathtë nga Serbia, janë të lidhura me luftën në Ukrainë, e cila filloi në fund të shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi atë që e quan si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë në disa raste se, Serbia është “satelit i Rusisë” dhe se Beogradi dhe Moska po punojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Organizatat e “lidhura” me Vidovdanin, Moskën dhe barrikadat

Në Serbi ekzistojnë një sërë organizatash që e lidhin aktivitetin e tyre me Vidovdanin, pra me 28 qershorin kur shënohet Beteja e Kosovës e vitit 1389.

Shumica prej tyre, përmes disa aktiviteteve, veprojnë edhe në Kosovë.

Kështu, Lëvizja “1389” (Pokret “1389) organizon çdo vit shkuarjen e serbëve në Gazimestan, Kosovë, më 28 qershor.

Këtë ditë e shënon edhe Kisha Ortodokse Serbe (KPS) – e cila njihet si Vidovdan.

Në faqen zyrtare të Lëvizjes “1389”, thuhet se grupi është “shoqatë ortodokse shtet-formuese humanitare kombëtare, e cila merret me ruajtjen e vlerave shpirtërore, historike, kulturore e të tjera të popullit serb dhe afirmimit të traditës, duke mos anashkaluar nevojën e zhvillimit të shtetit”.

“Ne po punojmë për ringjalljen e shtetit ortodoks, me theks në dinastinë të Nemanjiqit (themeluesit mesjetar të shtetit serb), Obrenoviqit dhe Karagjorgjeviqit (dy dinastitë që ishin në pushtet në Serbi gjatë shekullit të 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të) në Serbi dhe Romanovët në Rusi (familja e fundit perandorake ruse)”, thuhet në përshkrim.

Por, “1389” është një lëvizje e djathtë nga Serbia, anëtarët e së cilës flasin hapur për “mbrojtjen” e Kosovës dhe janë kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Pjesëtarë të kësaj lëvizjeje janë parë edhe në vitin 2011 në barrikada në veri të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi, ish-lideri i kësaj lëvizjeje, Misha Vaçiq, ka qenë kandidat për president para grupit qytetar “Patrioti serb”. Nënshkrimet për kandidaturën për president i ka dorëzuar me pishtar.

Shërbimi informativ i së djathtës serbe pati njoftuar më pas se ai ka mbërritur në Komisionin Republikan të Zgjedhjeve, me një “xhip të blinduar me targa ruse”. Në kolonën e automjeteve me flamuj serbë dhe rusë, disa automjete kanë pasur shenjën “Z”, simbol i pushtimit rus në Ukrainë.

Përveç Lëvizjes “1389”, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar edhe disa organizata të tjera që i përshtaten përshkrimit të “organizatave ekstremiste serbe, të ekstremit të djathtë, të cilat propagandojnë frymë mesjetare të ortodoksisë mistike”, siç i ka quajtur kryeministri i Kosovës.

Në deklaratat e mëparshme për mediat lokale në Kosovë, ai tha se këto organizata “njërën këmbë e kanë në Beograd, dhe tjetrën në Moskë”.

“Lëvizja për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë” është formuar në vitin 2020, ndërsa një degë e saj në Kosovë është hapur në fillim të këtij viti.

Organizata tha në atë kohë se “do të punojë për të ruajtur krahinën si pjesë të Serbisë”.

Nebojsha Joviq nga Mitrovica e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, u emërua si kryeadministrator, ndërsa anëtarët janë nga komunitetet serbe në jug të Ibrit, Zvonko Mihajloviq nga Shtërpca dhe Nenad Kojiq nga Vitia.

Në fillim të marsit, kjo Lëvizje publikoi një “apel për mbështetje Rusisë”, duke dënuar faktin se Serbia e mbështeti Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

“Prandaj ne e dënojmë fuqishëm këtë gjest të turpshëm, i cili është kundër traditave dhe interesave më të rëndësishme jetike të popullit serb”, theksuan ata.

Se barrikadat në veri të Kosovës janë “frymëzim” i organizatave të djathta, tregon edhe fakti se Kuvendi serb i Lëvizjes Besëlidhja (Zavetnici) u themelua në fillim të vitit 2012 nga një grup njerëzish që ishin parë te barrikadat në veri të Kosovës.

Mirëpo, në gusht të vitit 2019, kjo Lëvizje u bë parti politike e quajtur, Partia serbe Zaventici (Spska stranka Zavetnici).

“Zavetnici” rregullisht mban protesta në Beograd kundër festivalit të kulturës kosovare “Mirdita, Dobar dan!”.

Milica Gjurgjeviq-Stamenkovski, e cila drejton këtë parti serbe të ekstremit të djathtë, ishte gjithashtu kandidate në zgjedhjet e fundit presidenciale në Serbi.

Kjo parti e ka marrë emrin e saj, siç thuhet në faqen e tyre, bazuar në përvojën historike në të cilën Besëlidhja e Kosovës, është pika qendrore.

Ata e konsiderojnë të papranueshme pjesëmarrjen e Serbisë në “ndjekjen politike të shtetit të (Rusisë), e cila si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit është garantuesi më i fortë i Rezolutës 1244 dhe i ruajtjes së sovranitetit të saj në Kosovë e Metohi”.

Disa organizata veprojnë si humanitare, por organizojnë edhe aksione të Vidovdanit “Vidovdan aksione”, me rastin e shënimit të përvjetorit të betejës në Kosovë.

Disa prej tyre janë: “Serbët për serbët” dhe organizata “28 Qershori”.

Kush u arrestua më 28 qershor në Kosovë?

Profesori i sociologjisë, Ismail Hasani, thekson se organizatat e ekstremit të djathtë më së shumti u shfaqën në Serbi dhe Kroaci, pas luftërave të viteve ’90 në territorin e ish-Jugosllavisë dhe se ato ishin të lidhura me organizata fetare.

“Organizatat fetare ishin të lidhura ngushtë edhe me udhëheqjen shtetërore. Kam pasur rastin të shoh individë që shfaqin sjellje ekstreme në Vidovdan”, thotë Hasani.

Policia e Kosovës, më 28 qershor të këtij viti, ka arrestuar një shtetas serb për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Qeveria e Kosovës për takimet në Bruksel: Dy tema ishin në agjendë

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka diskutuar për dy tema në takimet e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Takimet kanë përfunduar pa marrëveshje.

Sipas Qeverisë, në takim është diskutuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes përfundimtare.

Sipas saj, Kurti ka theksuar se kjo marrëveshje duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, prandaj edhe “ ka prezantuar disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë”.

“Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garanci të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, është thënë mes tjerash në komunikatën e Qeverisë.

Edhe pas disa orësh negociata, Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.

Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndaras me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, por edhe takime të përbashkëta.

Borrell ka thënë se takimet e 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk kanë qenë “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.

Kosova e ka zbatuar më 1 gusht – për pak orë – pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.

Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Kryeministri Kurti nuk është deklaruar pas takimeve, derisa Vuçiq – teksa po mbaheshin takimet në Bruksel – ka thirrur një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, sipas mediave në Serbi.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, u ka thënë gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut serb të premten, më 19 gusht, në Beograd.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.

Deri tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.

Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.

KFOR-i i shton forcat në Jarinjë dhe Bërnjak “për t’iu përgjigjur shpejt sfidave të sigurisë

KFOR-i e ka rritur praninë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe aktivitetet patrulluese në atë zonë, me qëllim të rritjes së vetëdijes për situatën.

Këto masa janë marrë për të mundësuar që KFOR-it t’i përgjigjet shpejt të gjitha sfidave të sigurisë, ka thënë për “Kosovo Online” Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it, përcjell Express.

“Dëshirojmë t’i sigurojmë të gjithë se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë nëse është e nevojshme”, shtohet në përgjigje.

Në përgjigje thuhet gjithashtu se mandati i Misionit të KFOR-it, i cili buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, është që të sigurojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

“Për t’i kryer detyrat e veta, KFOR-i mban një qëndrim të dukshëm dhe të shkathët në terren”, thekson Zyra për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it.

Begaj takohet me komandantin e KFOR-it: Rendi kushtetues i Kosovës s’duhet cenuar

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është pritur nga komandanti i KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Ky i fundit e ka informuar presidentin Begaj mbi situatën e sigurisë në Kosovë e veçanërisht në veri të saj, ndërsa ka vlerësuar profesionalizmin e efektivëve të FA, në misionin e KFOR.

Begaj vlerësoi rolin e pazëvëndësueshëm të NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë dhe në gjithë rajonin.

Në orët e pasdites Presidenti i Republikës, është ndalur në Pejë, ku është takuar me efektivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, pjesë e misionit paqeruajtës KFOR.

Ndërsa vlerësoi kontributin e çdo efektivi të FA, Presidenti kërkoi kujdes në përmbushjen e misionit të tyre.

“Rendi kushtetues i Kosovës nuk duhet cënuar”, tha Presidenti Begaj gjatë takimit me efektivët e Forcave të Armatosura./abcnews.al/

Rakiq: QUINT kërkoi nga ne që ta pranojmë pavarësinë e Kosovës

Kryetari i Listës Serbe, njëherësh ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Fotografi e realizuar gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

RFE/RL

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “të pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.

Këto komente Rakiq i bëri gjatë një konference për media në Qeverinë serbe në Beograd të martën, ku morën pjesë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Rakiq tha se në takimin me ambasadorët e QUINT-it kanë rënë dakord që të mos bëhen publike detajet e takimit, por “për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që morën dje, ne kemi një moral njerëzor dhe përgjegjësi politike për të informuar qytetarët se jetojnë në Kosovë”.

“Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuan se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, tha Rakiq.

Rakiq tha se ambasadorët e QUINT-it thanë se vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.
“Ne absolutisht nuk u pajtuam me ta”, theksoi Rakiq.

“Na bënë thirrje që ta pranojmë realitetin në terren dhe ai realitet është që Kosova është e pavarur. Asnjë serb, dhe ne ua thamë qartë dje, nuk e pranon atë pavarësi dhe nuk do ta pranojë kurrë. Ne po shikojmë Brukselin, presidentin tonë, Aleksandar Vuçiq dhe po shikojmë dialogun e Brukselit”, tha Rakiq.

Lista Serbe, që është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se mbështesin plotësisht presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për takimin që ai do të mbajë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht.

Rakiq tha se Kosova mund “me forcë të përpiqet të zbatojë disa vendime”, por se “ne nuk do të marrim pjesë në këtë”.

Rakiq, që është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha se pret që presidenti serb Vuçiq, të gjejë një mënyrë për ta “tejkaluar këtë krizë” në dialogun në Bruksel.

Ndërkaq, në konferencën për media në Beograd, kryetarët e katër komunave në veri – Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – u shprehën të shqetësuar për “patrullimin e shtuar” të Policisë së Kosovës në këtë pjesë dhe thanë se nuk pranojnë vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zoran Todiq, kryetari i Komunës së Leposaviqit, tha se gjenden “në një situatë gjithnjë e më të vështirë sigurie dhe politike” dhe shtoi se në takimin e ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar që Kurti të heqë dorë nga zbatimi i vendimeve.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Bllokadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës. Vendimi i parë ka të bëjë me targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës.

Kosova dëshiron që rreth 10.000 makina me targa sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme të riregjistrohen në targat RKS (Republika e Kosovës), pasi vlerëson se targa të tilla që qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe, janë të jashtëligjshme.

Vendimi i dytë i Qeverisë së Kosovës është për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje, për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument jepet falas dhe ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Me dokument të tillë, qytetarët e Kosovës janë pajisur nga autoritetet serbe qe 11 vjet dhe palët ishin marrë vesh për një gjë të tillë me nënshkrimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes më 2011.

Pasi serbët hoqën barrikadat pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Pas rritjes së tensioneve në veri, Bashkimi Evropian dërgoi ftesë për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut. Takimi i 18 gushtit midis Kurtit dhe Vuçiqit pritet të përqendrohet në përpjekjet për uljen e tensioneve.

Tema e Asociacionit, në takimin me QUINT-in

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se në takimin e Brukselit duhet të insistohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse, siç tha ai, “nuk ka mundësi të normalizimit të raporteve midis Beogradit dhe Prishtinës” pa krijimin e këtij asociacioni.

Petkoviq tha se Asociacioni do të jetë tema e parë që Vuçiq do të insistojë gjatë takimit të së enjtes në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, Rakiq tha se me ambasadorët e QUINT-it kanë biseduar edhe për Asociacionin dhe atyre u është thënë se nuk presin që Asociacioni të jetë një organizatë joqeveritare, por të ketë kompetenca në arsim, shëndetësi dhe planifikim hapësinor.

Kosova insiston se është kundër një asociacioni njëetnik, ndërkaq Serbia kërkon që ky asociacion të ketë kompetenca ekzekutive.

Nga Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të diskutojnë për Asociacionin dhe ta krijojnë atë, por i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Asociacioni nuk duhet të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Palët kishin arritur marrëveshje më 2013 dhe 2015 për krijimin e Asociacionit, por Kosova nuk ka ndërmarrë hapa për krijimin e tij pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese më 2015, që tha se Asociacioni nuk ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën.

Por, para rundit të ri të dialogut, Kurti dhe Vuçiq më 17 gusht do të zhvillojnë në Bruksel takime të ndara edhe me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë rritjes së fundit të tensioneve në veri, ishte shprehur i gatshëm që të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti.

Abdixhiku s’pranon të shkojë në Kuvend për ta takuar Begajn, por Gjukanoviqit i shkoi në hotel

LDK-ja është indinjuar që presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nuk shkoi në zyrat e kësaj partie për ta takuar Lumir Abdixhikun. Ky i fundit para 3 muajsh s’e pati problem të dalë jashtë zyrave të partisë për ta takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Gazeta Express

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj po e zhvillon vizitën e parë zyrtare në Kosovë. Ai në Prishtinë u takua me krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike opozitare, me përjashtim të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut.

Begaj i takoi krerët e opozitës veç e veç në Kuvendin e Kosovës. Nga LDK i thënë jozyrtarisht Gazetës Express se presidenti shqiptar ka kërkuar të takohen në ambiente të tjera, gjë të cilën s’e ka pranuar partia më e vjetër në vend.

Por para 3 muajsh, në maj, Abdixhiku kishte shkuar në një hotel në Prishtinë për ta takuar presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Atëherë ai nuk qëndroi në zyrat e partisë duke pritur që aty t’i shkonte presidenti malazez.

“Sot, me bashkëpunëtorë, takuam Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Biseduam për të ardhmen e dy shteteve tona dhe perspektivën euro-atlantike që Kosova dhe Mali i zi si shtete fqinje kanë”, thoshte Abdixhiku, duke e vlerësuar Malin e Zi si partner të rëndësishëm rajonal për Kosovën.

19 MAJ 2022

Për mostakimin me Begajn, në LDK thanë se iu vjen keq dhe se “nuk e kuptojmë refuzimin” e presidentit shqiptar për të shkuar në zyrat e partisë, duke e shprehur habinë “për një qasje të pazakontë”.

LDK-ja u indinjua që Begaj nuk veproi si presidentët e kryeministrat paraprakë të Shqipërisë, të cilët gjatë vizitave në Kosovë, liderëve opozitarë u shkonin për takime nëpër parti.

Arbër Zaimi: Vuçiç po planifikon të vrasë 5-6 serbë në Veri

Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, thotë se plani i Vuçiçit para takimit në Bruksel është që të shkojë në bisedime duke bartuar emra të vrarësh me vete. 

Deklarata e Zaimit vjen pasi presidenti serb tha se Prishtina po planifikon “të vrasë 6-10 serbë të armatosur që mund të rezistojnë me armë në veri”. 

Një skenar i tillë, thotë Arbër Zaimi, është i Aleksandar Vuçiç, për të nxitur tensione mes dy vendeve.

“Vuçiqi kur po thotë se “Kosova dëshiron të vrasë 6-8 serbë që veprojnë të armatosur në veri të vendit”, tregon planin dhe objektivin e vet. Disa serbë të armatosur të cilët terrorizojnë popullsinë vendase, që gjuajnë me armë kundër policisë e cila patrullon kundër kontrabandës, që gjuajnë me shuplaka para syve të fëmijëve familjarët që udhëtojnë me makina, Vuçiqi po dëshiron t’i shpallë martirë para vaktit. Ai ka nevojë që në Bruksel të marrë me vete emra të vrarësh, sepse argumente nuk i kanë mbetur më”, ka shkruar ai. syri.net

Seminari i Gjuhës Shqipe mbledh mbi 150 studiues nga bota

Arton Konushevci

Në edicionit e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nuk do të ketë pjesëmarrës nga Rusia, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi. Edicioni i 40-të i Seminarit të Gjuhës do të mbahet nga 15 deri më 26 gusht. Munishi, thotë se në këtë vit, në seminar marrin pjesë më shumë se 150 pjesëmarrës nga shtet të ndryshme të botës.

Radio Evropa e Lirë: Të hënën, më 15 gusht, nis Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Cili është fokusi i këtij edicioni?

Drejtori i Seminarit të Gjuhës, Shkumbin Munishi.

Drejtori i Seminarit të Gjuhës, Shkumbin Munishi.

Shkumbin Munishi: Sivjet është edicioni jubilar i dyzet i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili tashmë ka krijuar një traditë të padiskutueshme, dhe i cili në këtë periudhë që po mbahet, por edhe me ndikimin që ka, praktikisht është bërë qendër e studimeve albanologjike për dekada me radhë.

Pra, të hënën në orën 11:00, në sallën e bibliotekës universitare do ta kemi hapjen solemne të këtij edicioni dhe ajo që mund të them që në fillim është se këtë vit, praktikisht do të kemi një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të seminaristëve.

Seminari i Gjuhës me program tradicional

Radio Evropa e Lirë: Sa dallon nga e kaluara ky edicion i seminarit?

Shkumbin Munishi: E kam thënë shpesh edhe në të kaluarën se seminari gjithmonë e ndjek traditën e cila është ndërtuar praktikisht për pothuajse pesë dekada. Dhe ne programin e seminarit e ndërtojmë duke u bazuar në këtë traditë dhe në këtë format tashmë të etabluar tash e sa kohë.

Këtë vit, meqenëse është edicion jubilar, ne kemi një pjesëmarrje shumë më të madhe të seminaristëve, të atyre që vijnë për herë të parë, por dhe të atyre që kanë qenë më përpara dhe të cilët duan t’i ndjekin kurset e gjuhës shqipe.

Njëkohësisht, këtë vit, po ashtu kemi të ftuar edhe albanologë të huaj dhe albanologë shqiptarë prominentë, të cilët do të mbajnë ligjërata gjatë këtyre ditëve të seminarit. Po ashtu do t’i kemi referimet shkencore si dhe do të kemi sesionet shkencore të cilat mbahen në ditët e fundit të seminarit.

Pra, programi është tradicional, por këtë vit programi është mjaft i ngjeshur sepse pothuajse për çdo ditë do të kemi ligjërata nga albanologët e shquar, të cilët do të diskutojnë për probleme të ndryshme nga fusha e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës shqiptare në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i pjesëmarrësve nga cilat vende janë profesorët dhe studiuesit?

Shkumbin Munishi: Sivjet numri i pjesëmarrësve e ka kaluar 100-shin. Në përgjithësi, duke llogaritur seminaristët, por edhe profesorët e studiuesit, do të kemi më tepër se 150 pjesëmarrës. Janë rreth 105 seminaristë të cilët do të vijnë këtu edhe për t’i ndjekur kurset, por edhe për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore, e që vijnë nga vendet e ndryshme të botës.

Pra, kemi seminaristë që vijnë nga Gjermania, sivjet do të vijnë në numër më të konsiderueshëm, seminaristë nga Polonia, Çekia, Bullgaria, Turqia, Greqia, Serbia, Italia nga Holanda e kështu me radhë. Ka një numër jashtëzakonisht të madh të seminaristëve.

Edicioni i 40-të, pa pjesëmarrës nga Rusia

Radio Evropa e Lirë: Në vitet e kaluar kur është mbajtur seminari ka pasur pjesëmarrje të albanologëve nga Rusia. Këtë vit a do të ketë pjesëmarrës në seminar që janë nga Rusia?

Shkumbin Munishi: Sa u përket pjesëmarrësve nga Rusia, ne këtë vit kemi qenë në një situatë të pazakontë. Ne kemi kërkuar instruksione nga organet tona që të vihemi në dijeni nëse është e lejuar pjesëmarrja e tyre në këtë edicion të seminarit.

Për fat të keq, e konsideroj si gjë që nuk është aspak e duhur, ende nuk kemi marrë një përgjigje për këtë punë. Dhe praktikisht, ende nuk kemi kthyer përgjigje seminaristëve që tradicionalisht kanë ardhur nga Rusia.

Por, thjesht kjo çështje tashme u mbetet autoriteteve, nuk është një çështje që ne mund të merremi me këtë punë.

Përndryshe, nga ajo që kam kuptuar, sepse më pas unë kam bërë disa hulumtime, vende të ndryshme evropiane në përgjithësi e kanë ndaluar pjesëmarrjen, më mirë të them e kanë suspenduar pjesëmarrjen e shkollarëve dhe studentëve rusë në aktivitetet e ndryshme që mbahen në vendet e Bashkimit Evropian.

Po, e ritheksoj edhe njëherë është dashur që të kemi një përgjigje institucionale lidhur me këtë çështje. Ne nuk u kemi kthyer përgjigje, që ne një farë mënyrë konsiderohet si një lloji refuzimi. Por, nuk ka qenë refuzim ose nuk ka qenë një arsyetim i shprehur në mënyrë zyrtare lidhur me pjesëmarrjen e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Cili është qëllimi i këtij seminari?

Shkumbin Munishi: Që në themelimin e tij, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka pasur për qëllim që gjuhën, kulturën, traditën, historinë shqiptare ta bëjë të njohur për të huajt dhe t’i joshë studentët dhe studiuesit që të merren me probleme të albanologjisë në përgjithësi.

E veçanta e edicionit të ri, “numri i madh i seminaristëve”

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të ketë ndryshe në këtë edicion të 40 jubilar, cila është e veçanta?

Shkumbin Munishi: E veçanta gjithmonë është prurja shkencore që ne e kemi në seminar. E veçanta e këtij seminari është afrimi i një numri kaq të madh të seminaristëve, praktikisht me përjashtim të ndonjë edicioni tjetër të kaluar, ky do të jetë përsëri një edicion rekord.

Seminari edhe në këto dy vjetët e fundit, por edhe në të kaluarën në rrethanat kur ka qenë i ndaluar nga pushteti serb dhe kur dy edicione janë mbajtur në Tiranë, ka treguar një kryeneçësi në ruajtjen e ekzistencës së tij.

Pra, ne kemi pasur në dy vjetët e kaluar probleme për shkak të pandemisë. Në vitin 2020 është dashur që në ditët e fundit ta anulojmë seminarin për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar e kemi mbajtur me 100 vështirësi, kemi pasur një numër solid të pjesëmarrësve, kanë qenë rreth 30 deri në 40 pjesëmarrës.

Sivjet, meqenëse janë lehtësuar masat, kemi këtë vlug kaq të madh të pjesëmarrësve. Ajo që është me rëndësi është se seminari në vazhdimësi po mbetet atraktiv për të huajt dhe në vazhdimësi po rritet rrjeti i interesimit të të huajve për të ardhur në seminar.

Në pritje të mbështetjes nga Ministria e Kulturës

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat që po përballeni ju për këtë çështje?

Shkumbin Munishi: Sfidat gjithmonë janë të natyrës buxhetore dhe teknike. Për fat të mirë buxheti i seminarit është një buxhet që është i ndarë në kuadër të buxhetit të Universitetit të Prishtinës, i cili jo gjithmonë është i mjaftueshëm, sidomos në këtë vit kemi probleme për shkak të inflacionit. Buxheti është caktuar në vitin e kaluar, siç e kërkon cikli buxhetor, dhe tani në këtë situatë kur kemi këtë inflacion, sigurisht kemi disa vështirësi.

Ne këtë vit kemi premtime për mbështetje të disa prej aktiviteteve të seminarit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Mbesin me shpresë që ajo mbështetje do të realizohet sepse janë disa pika të programit të cilat varen nga ajo mbështetje. Nëse në rast që një mbështetje e tillë do të dështonte – dhe unë në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj këtë gjë – atëherë, do të ishim të detyruar që disa prej pikave të seminarit t’i anulojmë.

Prishtina ndalon përdorimin e trotinetëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshe

RFE/RL

Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e trotinetëve dhe biçikletave elektrike nëpër sheshet dhe hapërsirat publike të kryeqytetit.

Në pikën një të urdhëresës së publikuar në Facebook nga kryetarit i Prishtinës, Përparim Rama, thuhet se “Ndalohet qarkullimi i trotinetëve elektrik, biçikletave elektrike dhe motoçikletave apo mopedëve elektrik”.

Në postimin e tij në Facebook thuhet se ndalimi bëhet në hapësirat ku ka frekuencë të lartë të këmbësorëve.

“Kemi ndaluar qarkullimin e trotinetëve, biçikletave dhe gjithë mjeteve motorike elektrike nëpër sheshet dhe hapësirat publike të kryeqytetit, në të cilat ka frekuencë të lartë të këmbësorëve”, ka shkruar Rama më 13 gusht.

Në njoftimin e kryetarit të Prishtinës thuhet se urdhëresa hyn në fuqi nga e hëna e 15 gushtit.

“Kjo urdhëresë do të hyjë në fuqi prej të hënës, më 15 gusht 2022, deri në votimin dhe publikimin e rregullores në të cilën jemi duke punuar për të siguruar mbarëvajtjen e qarkullimit të këtyre mjeteve sa i përket sigurisë së qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar ai.

Në rrugët e Prishtinës vërehen më pak vetura se zakonisht në këtë periudhë të vitit. Shtrenjtimi i naftës dhe benzinës thuhet se i ka detyruar shumë qytetarë të kërkojnë alternativa: nga trotinetet deri te biçikletat. Por, edhe këto mjete nuk janë pa telashe.

Seminari i Gjuhës Shqipe pa pjesëmarrës nga Rusia

Edicioni i 39-të i Seminarit të Gjuhës Shqipe.

RFE/RL

Në edicionit e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nuk do të ketë pjesëmarrës nga Rusia, tha drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi.

Edicioni i 40-të i Seminarit të Gjuhës do të mbahet nga 15 deri më 26 gusht.

Munishi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e cila do të publikohet në ditët në vijim, tha se këtë vit, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kanë kërkuar nga institucionet që të marrin instruksione lidhur me atë nëse duhet të lejohen të marrin pjesë shtetasit rus.

“Për fat të keq, dhe e konsideroj si gjë që nuk është aspak e duhur, ende nuk kemi marrë një përgjigje për këtë punë dhe praktikisht ne nuk u kemi kthyer përgjigje seminaristëve që tradicionalisht kanë ardhur nga Rusia”, tha ai.

Munishi shtoi se ka parë që edhe shtete të tjera të Evropës kanë pezulluar pjesëmarrjen e shkollarëve dhe studentëve rusë në aktivitete të ndryshme, por tha se me lejimin ose jo të pjesëmarrjes së shtetasve rusë duhet të merren autoritetet e Kosovës.

Në të kaluarën, në Seminarin e Gjuhës, që mbahet në Prishtinë, kanë marrë pjesë profesorë të ndryshëm nga Rusia.

Një ndër pjesëmarrësit në seminaret e kaluara ishte edhe albanologu rus, Alexander Rusakov.

Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërsburgut në Rusi, në një intervistë dhënë REL-it, në mars të këtij viti, tha se lufta e Rusisë kundër Ukrainës është “luftë kriminale”.

“Është luftë kriminale nga ana e qeverisë sime, nga ana e Rusisë. Po, sepse është një luftë agresive kundër një shteti më të vogël që nuk paraqet asnjë rrezik për Rusinë”, tha ai.

Vitin e kaluar, në Seminarin e Gjuhës ishte edhe profesori i Gjuës Shqipe nga Shën Petersburg, Aleksandar Novik.

Atëbotë, ai i kishte thënë REL-it se seminari ishte shumë i rëndësishëm pasi përkrah njohuritë për botën dhe kulturën shqiptare.

Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare është themeluar më 1974 në Fakultetin e Filologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Seminari organizohet për studentët dhe studiuesit e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, por edhe për albanologjinë në përgjithësi.

Ndryshe, Kosova i është bashkuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Gazetarja ruse Daria Aslamova shpallet person i padëshirueshëm në Kosovë

RFE/RL

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka shpallur gazetaren ruse, Daria Aslamova si person të padëshirueshëm.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Aslamovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.

“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.

Duke bërë të ditur arrestimin e saj, Sveçla ka thënë se “shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”.

Ndalesa për hyrje në Moldavi

Sveçla ka thënë se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj, dhe sipas tij, Aslamovas i ndalohet hyrja në shumë shtete.

Me diçka të tillë ajo është përballur në Moldavi më 2017.

Atë periudhë ajo ka qenë duke punuar për median ruse, Komsomolskay Pravda, e cila njihet për qëndrimet pro-Kremlinit.

Shërbimi moldav i Radios Evropa e Lirë, ka raportuar atëbotë se shërbimet e sigurisë ia kanë ndaluar hyrjen “pasi ajo nuk ka mundur të arsyetojë arsyen e vizitës”.

Ish-presidenti moldav, Igor Dodon, pati thënë se gazetarja ishte nisur për ta intervistuar atë dhe pati kritikuar autoritetet e sigurisë për një vendim të tillë.

Dodon është njohur po ashtu për qëndrimet e tij pro-Rusisë.

Pas sulmit të policëve në veri, Shefi i EULEX-it: Akt kriminal

Shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Ujman.

Wigermark ka thënë se  këto sulme janë akte kriminale dhe duhet të ndalen menjëherë. Ai po ashtu tha se  EULEX-i do t’i shtojë patrullimet në atë zonë.

“Të shtënat e sotme në liqenin e Gazivodës/Ujmanit janë edhe një sulm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës. Askush nuk u lëndua, por këto sulme jo vetëm që janë të rrezikshme, janë akte kriminale dhe duhet të ndërpriten menjëherë. @EULEXKosovo do të shtojë patrullimet e saj në zone”, shkroi Wigemark.

Vlora Çitaku për ndalimin e Daria Aslamovas: Ajo është apologjete e Putinit dhe propagandiste e Rusisë!

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar pasi sot iu ndalua hyrja në Kosovë, Daria Aslamova e cila akuzohet si spiune e intelegjences ushtarake ruse.

Çitaku përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter tha se Aslamova tani po mbahet në paraburgim, duke shtuar se dihet qëllimi i hyrjes së saj në Kosovë.

“Daria Aslamova u arrestua sot teksa tentoi të kalonte kufirin nga Serbia për në # Kosovë . Ajo është apologjete e Putinit dhe propagandiste e Rusisë. Nuk ka nevojë të jesh oficer i inteligjencës për të kuptuar qëllimin e “udhëtimit” të saj Aslamova tani është në paraburgim të autoriteteve të Kosovës”, shkroi Çitaku.

Ndërsa ndalimin e saj në kufi e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili tha se ky tentim i hyrjes së saj në Kosovë e dëshmon qartë se ka për qëllim destabilizimin e vendit.

Xhelal Sveçla: Shumë shtete e kanë vërtetuar se Daria Aslamova e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla në rrjetin social:
“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.
Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë për shkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj.
Theksojmë faktin se ajo tenton të hyjë në Republikën e Kosovës një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njejtën ditë kur të njejtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor.
Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë.”

Hovenier pas takimit me Rakiq: Ia kujtova disa qëndrime të Amerikës për reciprocitetin

Pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka shkuar në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, e cila udhëhiqet nga Goran Rakiq.

Pas takimit me të, Hovenier në një prononcim për media tha se Rakiqit ia ka bërë me dije qëndrimin që ka SHBA në disa çështje.

“I rikujtova atij disa nga pozicionimet e SHBA-së në këto çështje, përfshirë edhe për masat e reciprocitetit që i ka marrë Qeveria e Kosovës. Nga perspektiva jonë ato konsistojnë me Marrëveshjen e Brukselit”, tha Hovenier, raporton Gazeta Express.

Ai tha se gjithashtu kanë folur edhe për shqetësimet që ka komuniteti serb në Kosovë.

Hovenier foli edhe për rëndësinë e takimit të nivelit të lartë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

“U pajtuam për rëndësinë që ka një takim mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Burksel, këtë muaj dhe nevojën për të gjetur disa mënyra që të deeskalojnë disa nga këto çështje”.

Kurti: Dezinformimi i Beogradit shtyu zbatimin e vendimit për reciprocitetet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tregon targat e përkohshme gjatë një seance parlamentare. 20 shtator 2021

RFE/RL

Shtyrja e zbatimit te vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që Beogradi ka bërë mbi qytetarët e Kosovës, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtit në Kuvendin e Kosovës.

“Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin stuhia që do të ndodh të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakos serbët në Kosovë e të tjera e të tjera”, tha Kurti.

Ai tha se këto dezinfomarta kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të pranojë tek faktorët ndërkombëtarë evropian dhe amerikanë shtyrjen e vendimit më 1 shator 2022.

“Ajo që është dashur të ndodh para 11 viteve ne po fillojmë të zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, tha Kurti.

Kurti tha se vendimi për reciprocitet me Serbinë do të bëhet me 1 shtator dhe se me punë dhe angazhim gjithçka do të përmbyllet mirë.

“Më mirë me 1 shtator se hiç”, tha Kurti.

Deklarata e kryeministrit Kurti vin pas akuzave që deputet të partive opozitare i kanë bërë Qeverisë për situatën e krijuar në veri.

Më 29 qershor, në një mbledhje të rregullt, Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet për hyrjen të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS.

Ky vendim në veri shkaktoi tensione në katër komuna me shumicë serbe, ku popullata lokale bashkë, e përkrahur nga përfaqësuesit politikë serbë bllokuar rrugët në drejtim të dy pikave kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Për këto dy masa tha se janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Lista Serbe: Duam ta rrëzojmë Qeverinë Kurti

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq nga Lista Serbe, gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së Kosovës.

 

RFE/RL

Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.

“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.

Reagimet e fundit të Listës Serbe vijnë pas deklaratave të bëra nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, deklaroi më 2 gusht se Lista Serbe është e “devalvuar politikisht” dhe tha se në ekzekutiv nuk ka as vullnet për të bashkëpunuar me këtë parti, pasi tha se ajo bashkëpunon me grupe kriminale.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk ka marrëveshje koalicioni me Listën Serbe, por sipas Kushtetutës, kjo parti merr pjesë në ekzekutiv, duke udhëhequr me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe nuk e ka votuar Qeverinë e Kurtit, në seancën e mbajtu më 22 mars të vitit 2021.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, po ashtu tha se nënkryetari i kësaj partie, Milan Radoiçiq, nuk gjendet në veri të Kosovës. Ai tha se Radoiçiq në fillim të korrikut ka incizuar një video në veri të Kosovës dhe më pas ka dalë nga territori i shtetit.

Por, Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.

Radoiçiq “ishte në barrikada”

Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

“:..ai [Sveçla] nuk guxon të pranojë se është i vetëdijshëm se sa autoritet ka Radoiçiq në mesin e serbëve, gjë që u pa më së miri të dielën kur Radoiçiq iu bashkua atyre në protesta, dhe gjatë gjithë kohës ishte me qytetarët dhe kryesinë e Listës Serbe”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Sveçla më herët e kishte cilësuar Radoiçin si person që qëndron në krye të kontrabandistëve që sulmojnë Policinë e Kosovës në veri të vendit. Autoritetet e rendit disa herë gjatë këtij viti janë sulmuar ose janë penguar që të kryejnë punën e tyre në veri të vendit.

 

Radoiçiq së bashku edhe me dhjetëra serbë të tjerë, përfshirë edhe biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, gjenden në listën e zezë amerikane të dyshuar se i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Barrikadat u vendosën në shenjë proteste ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe.

 

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Një gjë të tillë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, po ashtu është shtyrë zbatimi i vendimit që ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale.

Më 3 gusht, organizatat joqeveritare nga komuniteti serb në Kosovë u bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të nisin një dialog konstruktiv, ndërkaq Lista Serbe të marrë pjesë në zgjidhjen e tensioneve.

“Deputetët dhe ministrat e Listës Serbe janë të vetmit përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, prandaj është e nevojshme që veprimet pasive të zëvendësohen me një rol pro-aktiv në zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt qytetarët. Në atë proces është e nevojshme të vendoset një komunikim të drejtpërdrejtë dhe të pandërprerë me popullatën lokale, sektorin joqeveritar dhe të gjithë akterët relevantë nga radhët e komunitetit serb në Kosovë”, u tha në njoftim.

Ndryshe, Lista Serbe përfaqësohet në Qeverinë e Kosovës me ministrin për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq, ndërkaq po ashtu ka dhjetë deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas telefonatës me SP të NATO-s: Stoltenberg na siguroi angazhimin e NATO-s & KFOR-it për ruajtjen e paqes & sigurisë

Pas bisedës telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg kryeministri i Kosovës reagon me një tweet në Tweeter si më poshtë:.

“Ishte një bisedë konstruktive me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg sot. Ai na siguroi për angazhimin e NATO-s dhe KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Masat tona të kufirit dhe targave janë në përputhje me Kushtetutën e ligjet dhe janë të barabarta me masat që Serbia ka vendosur me vite ndaj qytetarëve të Kosovës.”

 

 

 

Situata në Veri, sekretari i përgjithshëm NATO-s bisedon me Kurtin – ky është mesazhi

Jens Stoltenberg, sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ka biseduar të martën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin në lidhje me situatën në Veriun e Kosovës.

Sekretari  i Përgjithshëm i NATO-s ka kërkuar që të gjitha palët ta ruajnë paqen.

“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.

Si rrodhën zhvillimet

Fillimisht mëngjesin e së dielës, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte dalë në publik për të thënë se “serbët po i dëgjojnë më pak thirrjet e Beogradit për ta ruajtur paqen me çdo kusht”.

Kjo deklaratë e të parit në Serbi erdhi vetëm një ditë para nisjes së zbatimit të reciprocitetit me dokumente.

Pak orë kaluan kur në Veriun e Kosovës u lëshuan “sirenat e luftës”, serbët lokalë u grumbulluan në Mitrovicën e Veriut.

S’mbaroi me kaq, vendosën barrikada nëpër rrugët që dërgojnë në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Kjo bëri që Policia e Kosovës të mbyllë këto dy pika kufitare.

Lajmi për “alarmin e luftës”, kishte marrë jehonë ndërkombëtare. Lajmet nisën, kishte indikacione që tensionet do të kalonin në konflikt serioz.

Por pak minuta para se vendimi i 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës të hynte në fuqi, u shfaqë ambasadori amerikan.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta shtyjë vendimin për 30 ditë”, kishte thënë Jeffrey Hovenier pas takimit që e kishte me presidenten Vjosa Osamni dhe kryeministrin Albin Kurti.

Ky i fundit e zbatoi këtë kërkesë amerikane. Vendimi u shty për 1 muaj, pra deri më 1 shtator. /Express

Vllasi: Serbia po sillet si në vitin ’87, Kosova s’duhet të heqë dorë nga vendimet e saj

Ish-politikani Azem Vllasi është i mendimit që Kosova s’duhet të heqë dorë nga vendimet e saj për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Për më tepër, Vllasi s’po e sheh si çështje shumë të madhe shtyrjen e këtij vendimi, por thotë se me rëndësi është që të gjendet zgjidhja.

“Nuk është e thënë që të ndodhë pas 29 ditëve. Një zgjidhje me rëndësi është të gjendet. Duhet Brukseli dhe aleatët perëndimorë të luajnë rolin e ndërmjetësuesit në këtë çështje. Që nuk vjen te një marrëveshje nuk është kiameti të shtyhet edhe pak. Kosova duhet ta ushtrojë pushtetin në tërësi në tërë territorin e saj. A do të arrihet marrëveshja brenda 29 ditëve apo të shtyhet edhe pak nuk është kiamet. Por nuk duhet hequr dorë nga parimi i reciprocitetit. Serbia është ajo që duhet të sillet ndryshe. Në kalimin kufitar duhet të heqë dorë nga dhënia e asaj cope letre për qytetarët e Kosovës apo të pajtohet me reciprocitet”, ka thënë Vllasi në KTV.

Avokati Vllasi ka thënë se shteti serb po sillet sikurse në vitin 1987 me manipulime e dezinformata dhe se ngjarjet në veri po ia kujtojnë këtë.

Po ashtu, ai tha se Serbia po tenton të krijojë tensione në Kosovë edhe për të shpërqendruar opinionin nga agresioni rus në Ukrainë.

“Ata e kanë vlerësuar se Serbia dëshiron të krijojë tensione në Kosovë e rajon për ta tërhequr vëmendjen nga agresioni rus në Ukrainë. Perëndimorët janë angazhuar të qetësohet situata e kjo çështje të shtyhet. Asnjë nga perëndimorët nuk tha të hiqet dorë nga parimi i reciprocitetit. Nuk ka shans e as mënyrë që Serbia ushtarakisht apo me forcë të angazhohet në Kosovë, sepse hyn në luftë me NATO-n. Kosova s’është anëtarë e NATO-s, por NATO është në Kosovë”, tha Vllasi.

Policia konfirmon heqjen e barrikadave në veri

RFE/RL

 

Barrikadat e krijuara nga serbët në veri të Kosovës për të bllokuar pikat kufitare “nuk kanë qenë veprime, por reagime ndaj një vendimi të njëanshëm të Prishtinës”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Rakiq, së bashku me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Peter Petkoviq, kanë mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në ndërtesën e Qeverisë në Beograd.

Sipas tyre, në Kosovë janë shmangur konflikte në shkallë të gjerë falë, siç thanë ata, “politikës së mençur diplomatike të Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq”.

Ata kanë shtuar se përgjegjësinë e vetme për ngjarjet në veri të Kosovës, në mbrëmjen e 31 korrikut, e ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili, sipas Petkoviqit, “dëshironte të shkaktonte konflikte në përmasa të mëdha”.

“A e kuptoni që mbrëmë ishim në prag të konflikteve serioze? Ishin mbi 1.000 pjesëtarë të njësive speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë dhe plani i tyre ishte të pushtonin popullin që do të mbronin pragun e tyre”, ka thënë Petkoviq.

Serbët nga Kosova kanë vendosur bllokada në pikat kufitare më 31 korrik, një ditë para zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumenteve hyrëse-dalëse për shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë dhe ndërrimin e targave të Serbisë.

Pas ndërhyrjes diplomatike të Uashingtonit, Qeveria e Kosovës bëri të ditur për shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi në momentin që serbët heqin barrikadat.

“Dialogu dhe tryeza e Brukselit janë i vetmi vend për zgjidhje, jo dërgimi i policisë dhe ndërtimi i barrikadave. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se nuk do të gjejmë zgjidhje me barrikada, por zgjidhja nuk do të vijë as me dërgimin e policisë”, ka thënë mes tjerash Rakiq.

Ai po ashtu i ka thënë Kurtit që të mos u drejtohet serbëve në gjuhën serbe, por në gjuhën e tij amtare.

“Ne i kuptojmë mesazhet e tij, e ato janë se ai neve serbëve nuk na sheh. Sikurse të mos ekzistojmë atje (në Kosovë)”.

I pyetur se pse, edhe përkundër gjithë asaj që deklaron, ai është ende pjesë e Qeverisë së Kosovës, Rakiq ka thënë se do të largohet nga Qeveria vetëm atëherë kur “populli që e ka zgjedhur, atë ta bëjë këtë”.

“Unë jam opozitë në atë Qeveri. Unë nuk jam zgjedhur nga Kurti për të hyrë në të, por nga populli”, ka deklaruar Rakiq.

Serbët tërhiqen nga barrikadat në kufirin verior të Kosovës

Disa orë pas tensionimit të situatës, në orët e paradites së të hënës së 1 Gushtit ka nisur tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës, raportojnë mediat vendase. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.

Mirëpo një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç barrikadave në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u keqtrajtuan në kufi.

Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

Ky vendim i Qeverisë për shtyrje të masës së reciprocitetit në rast të heqjes së barrikadave, erdhi pas një takimi që patën udhëheqësit e shtetit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe. / Telegrafi

Opozita e Kosovës mbështet qeverinë: Abdixhiku, Krasniqi, Haradinaj: Reciprociteti legjitimitet, dënojnë sulmin ndaj Policisë së Kosovës

Opozita e Kosovës mbështet qeverinë e Kosovës
Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka shtyrë vendimin e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftime deri me 1 shtator.
Vendimi është marrë pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”, thuhet në njoftimin e saj.”
Vijnë edhe reagimet e opozitës në mbështetje të plot të qeverisë së Kosovës:
LUMIR ABDIXHIKU:
Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.
Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit.
Mbështetja për ta është domosdoshmëri.
Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri.
MEMLI KRASNIQI:
Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme.
Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.
Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.
Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar.
Ftoj qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë.
RAMUSH HARADINAJ: Të dashur qytetarë të Kosovës,
Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare.
Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm.
Bëjmë thirrje që qytetarët serb në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin.

Ministria fillon lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje në Merdare

Dokumenti i lëshuar nga autoritetet e Kosovës.

RFE/RL

Në Merdare, disa minuta pas mesnatës, është lëshuar dokumenti i parë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës për hyrje/dalje për një qytetar të Serbisë.

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se ky vendim do të vazhdojë të zbatohet “derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave”.

“Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Barrikadat janë vënë më 31 korrik nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës për targat e makinave që lëshojnë autoritetet e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe dokumentet për hyrje/dalje për qytetarët serbë kur të hyjnë në njërën nga pikat kufitare në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve – që ishin planifikuar të zbatoheshin nga 1 gushti – duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve.

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.

Pa u heqë barrikadat në Veri nuk pezullohet vendimi, Sveçla del me një sqarim

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se reciprociteti për dokumente është duke u zbatuar, përpos në pikat Bërnjak dhe Jarinje të cilat janë të bllokuara.

Sveçla pëmes një postimi të publikuar në Facebook të bashkangjitur me një video, ka thënë se vendimi do të implimentohet deri në largimin e të gjitha barikadave në Veri dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve.

“Tashmë ka filluar shpërndarja e dokumentit për hyrje-dalje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me përjashtim në pikat Jarinje dhe Bërnjak të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura përshkak të barrikadave që janë vendosur nga strukturat ilegale serbe”, ka shkruar ai në Facebook.

“Të gjithë personat që posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, do të pajisen me dokumentin hyrje-dalje e cila ka afat vlefshmërie 90 ditë brenda territorit të Republikës së Kosovës”.

“Ky vendim do të vazhdojë të implementohet derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, mbaron positmi.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë vendimin për recipricotetin për një muaj, pasi e mori udhëzimin amerikan. /Express

Forcat e NATO-s të përgatitura të intervenojnë në Kosovë

RFE/RL

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë se është i përgatitur për të intervenuar nëse rrezikohet stabiliteti në veri të Kosovës.

KFOR-i i ka bërë këto deklarata të dielën pasi serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat janë krijuar një ditë para nisjes së zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”.

Ky mision ka thënë se do të marrë çfarëdo mase që është e nevojshme për të mbajtur ambientin në Kosovë të sigurt në çdo kohë.

Pak para mesnatës, Qeveria e Kosovës ka shtyrë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj, duke thënë se dënon ashpër bllokimin e rrugës në veri të Kosovës.

“Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Qeverisë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka kërkuar të dielën Qeverisë së Kosovës që të shtyjë për 30 ditë zbatimin e vendimeve

Vendimet për targat dhe dokumentet serbe

Qeveria e Kosovës pati vendosur që më 1 gusht do të niste lëshimi i të ashtuquajturave dokumente për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohej në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të ishte i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi.

Po ashtu të hënën pritej të hynte në fuqi edhe vendimi për riregjistrimin e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës që lëshohen nga Serbia. Vlerësohet se 10.000 makina me targa si KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren) UR (Ferizaj) e të ngjashme, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Sipas vendimit të marrë më 29 qershor nga Qeveria e Kosovës, afati për riregjistrimin e makinave do të zgjaste deri më 30 shtator.

Vazhdon bllokimi i rrugëve në veri

Bllokimi i rrugëve në fshatin Zupç, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak, që lidh Kosovën dhe Serbinë. 1 gusht 2022.
RFE/RL

Në veri të Kosovës, në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak – po vazhdojnë të jenë barrikadat e vendosura nga serbët lokalë.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti për REL-in.

Aktualisht, në Mitrovicë të Veriut, sipas gazetarëve në terren, situata është e qetë. Por, në rrugët e këtij qyteti janë parë mesazhe ku shkruhet: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: "Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe".

Mesazhi i vendosur në Mitrovicë të Veriut ku shkruan: “Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Serbët lokalë më 31 korrik vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Pas kësaj, Qeveria u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për një muaj, nëse serbët largojnë barrikadat e vendosura, ndërkaq në mesnatë janë lëshuar dokumentet e para për hyrje-dalje.

Vendimi i 29 qershorit i ekzekutivit kosovar parasheh lëshimin e dokumentit për hyrje-dalje për të gjithë personat që posedojnë dokumente serbe.

Praktikë të njëjtë Serbia ka aplikuar ndaj qytetarëve të Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë parasheh që të gjithë pronarët e makinave me targa me akronime të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga Serbia – të mund të riregjistrojnë makinat e tyre në targat RKS (Republika e Kosovës).

Targat me akronime të qyteteve të Kosovës, nga Prishtina zyrtare konsiderohen ilegale, por vlerësohet se në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa të tilla.

Për shkak të tensioneve në veri, Policia e Kosovës ka mbyllur dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, dhe ka udhëzuar qytetarët që të përdorin pikëkalime të tjera.

Më 31 korrik, Policia raportoi se ka pasur të shtëna me armë zjarri në disa lokacione dhe disa kanë qenë drejtim të Policisë, por nuk ka pasur të plagosur.

Përpjekjet e SHBA-së për të ulur tensionet

Pas rritjes së tensioneve në veri, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe për një muaj.

“Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime”, tha Hovenier pas një takimi që zhvilloi në orët e vona të së dielës me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Pak minuta pas kësaj, Qeveria njoftoi se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve deri më 1 shtator, “kur do që të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Por, për shkak të moslargimit të barrikadave, autoritetet në Kosovë kanë nisur të lëshojnë dokumentet e hyrje-daljeve për shtetasit e Serbisë.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mirëpriti vendimin e Kosovës, për të pranuar, siç tha ai, propozimin e shefit të bllokut evropian, Josep Borrell, për shtyrjen e zbatimeve.

“BE-ja pret që të gjitha pengesat rrugore të hiqen menjëherë. Borrell ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog për rrugën përpara. Falënderues ndaj Ambasadës amerikane në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, ka shkruar ai në Twitter.

NATO e përgatitur të ndërhyjë

Pas rritjes së tensioneve në veri, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se është i përgatitur që të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

“Në përgjithësi, situata e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. KFOR-i është duke vëzhguar situatën nga afër edhe është i gatshëm të intervenojë nëse situata rrezikohet, në përputhje me mandatin që ka nga rezoluta 1244”, u tha në njoftimin e KFOR-it më 31 korrik.

Bllokadat e mëhershme për targat

Edhe në të kaluarën, serbët lokalë në veri të Kosovës, kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendimet e autoriteteve të Kosovës.

Herën e fundit kur u bllokuan rrugët në veri të Kosovës, përkatësisht ato që çonin në drejtim të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, ishte në shtatorin e vitit 2021.

Atëbotë, serbët lokalë protestuan vendimin e Qeverisë së Kosovës për të kërkuar nga shoferët serbë që të hiqnin targat dhe të pajiseshin me targa të përkohshme me të hyrë në territorin e Kosovës.

Bashkimi Evropian lehtësoi uljen e tensioneve dhe palët u pajtuan që të vendosnin letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa. Por, në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia dështuan që të arrinin një marrëveshje afatgjatë për këtë çështje dhe dy palët vazhdojnë të aplikojnë regjimin me letra ngjitëse.


Send this to a friend