VOAL

VOAL

Osmani: Erdogani mund ta bindë Vuçiqin ta njohë Kosovën, e presim shpejt në vizitë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, beson se presidenti turk Recep Taip Erdogan mund ta bindë Serbinë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një interviste për TRT World, Osmani i ka kërkuar homologut turk që ta vizitojë Kosovën.

“Unë besoj që presidenti i Turqisë Recep Taip Erdogan ka rol të rëndësishëm te Vuçiqi që rruga e vetme për stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor është që  ta pranojë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Osmani ndër tjerash.

Megjithatë Osmani më pas tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe që Serbia nuk po i respekton një mori marrëveshjes.
“Erdogan mund ta bindë që t’i mbajë premtimet”, ka thënë Osmani.

Presidentja e Kosovës ka folur edhe për raportet e mira mes Kosovës dhe Turqisë.

“Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim në mes vete dhe kjo duhet të vazhdojë”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se Kosova do të ketë probleme me energjinë gjatë këtij dimri.

Po ashtu ka folur edhe për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke e lidhur edhe me situatën në Ukrainë. /Express

Partia e Ramushit kërkon dorëheqjen e Kurtit: Dëshiron revolta

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kërkuar dorëheqjen kryeministrit Albin Kurti.

Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje është më mirë të heqë dorë nga pushteti se sa të provokojë qytetarët sikurse në rastin me vonesat në procedimin e pagave për mësimdhënësit.

Me këtë formë qeverisje, Lekaj theksoi se Qeveria e Kosovës po dëshiron revolta dhe protesta ndaj tyre.

Lekaj i cili është edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, shprehet i shqetësuar edhe me vonesën e zbatimit të udhërrëfyesit për energjinë në veri.

“Ne kemi hyrë në një krizë ekonomike në rritje të çmimeve enorme. Para disa ditëve u miratua vendimi për shpalljen të emergjencës për energji dhe tani nuk ekzekutohen pagat e arsimtarëve. Me të vërtetë thua se kjo qeveri nuk ia dëshiron të mirën vendit, dëshiron revolta dhe protesta. Më mirë është që kjo qeveri të dorëhiqet se sa të provokojë qytetarët, në këtë rast arsimtarët që më të vërtetë janë në gjendje jo të mirë”, thotë ai.

Insistimi i deridjeshëm i kreut qeveritar për t’i mos i paguar grevistët, Lekaj thotë se është një dobësi e tij dhe se këso vendime, sipas tij janë marrë vetëm në regjime ku dominon diktatura.

“Është një dobësi e Qeverisë së Kosovës, personalisht e kryeministrit me kokëfortësinë e tij, thua që tani ndryshon bota pse ata kanë hyrë në grevë, për të cilat ka qenë legjitime. Qeveria e Kosovës me këtë veprim dëshiroi të frustrojë arsimtarët dhe qytetarët që të kemi një revoltë. Këto kanë ndodhur vetëm në regjime ku ka dominuar kokëfortësia dhe diktatura”, shton Lekaj.

Duke folur për moszbatimin e udhërrëfyesit për marrëveshjen e energjisë në veri, Lekaj kërkon përfshirjen e Bashkimit Evropian për të ofruar një zgjidhje.

“Ju e dini se edhe në marrëveshjen që është bërë në Bruksel ka qenë një plan veprues, por deri më tani s’ka asnjë lëvizje, pasi ‘Elektrosever’ që ka marrë përgjegjësinë të licencohet në kushtet e Republikës së Kosovës, ai ka pretenduar se duhet me fusnotë dhe këtë drejtim s’ka asnjë veprim nga Qeveria dhe as nga Bashkimi Evropian. Këtë drejtim, mendoj se qeveria më tepër po bën llafe se po implementon marrëveshjen, pasi po vazhdon avazi i vjetër për pagesë”, deklaron Lekaj.

Megjithatë, Lekaj thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të rrijë duarkryq dhe të paguajë vetëm dëmet e humbjeve në energji.

Sipas tij deri në fundin e këtij viti fiskal Qeveria e Kosovës do të paguajë 110 milionë euro për mosdëgjueshmërinë e qytetarëve serbë për të paguar energjinë elektrike.

“Pala e Kosovës i ka kryer obligimet e veta, por nuk duhet të rrimë duarkryq dhe të paguajmë dëme që po shkaktohen humbje të mëdha buxhetit të Kosovës. Në fund të këtij viti fiskal bëhen diku 110 milionë që paguan Qeveria e Kosovës për mosdëgjueshmëri të qytetarëve që nuk paguajnë rrymën”, përfundon Lekaj.

Qeveria e Kosovës të premten pasdite ka ekzekutuar pagat për mësimdhënësit që ishin në grevë gjatë muajit shtator./KP

Osmani për REL: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Valona Tela

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, konsideron se mësimdhënësit në Kosovë duhet të paguhen, nëse ka një premtim për kompensimin e planit mësimor të humbur gjatë grevës në muajin shtator.

Gjatë një interviste në Pragë për Radion Evropa e Lirë, presidentja e Kosovës përmendi edhe përfitimet e Kosovës nga Bashkësia Politike Evropiane, një platformë për koordinim politik e zyrtarizuar në Pragë më 6 tetor.

Osmani tregoi se pse ende nuk është duke u formuar Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke shtuar se ajo e “mbështet çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”. Ndër tjerash ajo foli për dialogun me Serbinë.

Ndërkaq, sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani theksoi se ai vendim bazohet “në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit” dhe shtoi se Kosova duhet të jetë “e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë”.

Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Osmani tha se është “optimiste e kujdesshme”.

Vjosa Osmani

Vjosa Osmani

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, ndodheni në Pragë, ku keni marrë pjesë në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, pjesë e së cilës është ftuar të bëhet edhe Kosova. Çfarë përfiton Kosova nga ky komunitet?

Vjosa Osmani: Kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit evropian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta. Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet.

Është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent. Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian.

Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare – sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës… sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh.

Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët liberalizimin e vizave. Në BE duket se tani ka një disponim pozitiv për ta çuar përpara këtë proces. A keni marrë garanci se nuk do të bllokohet?

Vjosa Osmani: Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues. Nuk ka pasur asnjë lider të vetëm që ka shprehur ndonjë shqetësim, apo qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë – ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj – por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi.

Edhe në takimet e djeshme që kisha – diku me mbi 25 liderë, shumë prej të cilëve janë edhe në BE dhe kanë rol determinues për çështjen e vizave – nga të gjithë kam marrë përkrahjen e plotë për çështjen e liberalizimit të vizave. Natyrisht, ka pasur shtete që e kanë pritur konfirmimin e ri nga ana e Komisionit Evropian. Ky komision e ka rikonfirmuar çështjen e përmbushjes së kritereve dje.

Infografikë

Edhe sa shkallë deri te liberalizimi i vizave?

Përveçse ka konfirmuar që kriteret janë përmbushur që nga viti 2018, ka treguar se çfarë reformash të rëndësishme janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës këtë një vit e gjysmë si një, do të thosha, shtysë pozitive për shtetet anëtare. Të gjithë me të cilët kam biseduar, që kanë pasur hezitime më herët, e kanë përmendur pikërisht çështjen e reformave këtë një vit e gjysmë si faktin që i ka bindur ata që tani ta përkrahin Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: E di se janë disa hapa për t’u kryer [deri te hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave]. Ju, jeni optimiste se do të finalizohet gjatë Presidencës çeke [të BE-së]?

Vjosa Osmani: Jam optimiste e kujdesshme, sepse e dimë që nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë.

Është me rëndësi që takimi më 13 tetor të shkojë mirë dhe pastaj hapat tjerë, që nënkuptojnë edhe miratimin politik të vendimit të 13 tetorit – të grupit punues për vizat – të ndodhin sa më parë.

Presidenca çeke është jashtëzakonisht përkrahëse. Kjo është shumë me rëndësi, që përveç institucioneve të BE-së, shteti që ka presidencën, të jetë një shtet që e shtyn përpara, me shumë zell, një temë të caktuar, që të bëhet pjesë e agjendës së vendimmarrjes. Këtë po e bën Presidenca çeke. Dua të falënderoj kryeministrin [çek Petr] Fiala dhe ministrin e Jashtëm, Jan Lipavsky, por edhe ministrat e tjerë që janë të angazhuar, zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar. Kanë një përkrahje të jashtëzakonshme në raport me çështjen e liberalizimit të vizave.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët që keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë takimin trepalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Tashmë e keni bërë të ditur se temë e diskutimeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë. A ka diçka konkrete që ju është kërkuar nga Scholz dhe Macron?

Vjosa Osmani: Natyrshëm që kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet.

Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë.

Pra, angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet.

*Teksti i plotë i intervistës do të publikohet së shpejti

Anketa: Bie përkrahja për Bashkimin Evropian në Kosovë

VOA/Artan Haraqija

 

Dy hulumtime që janë publikuar gjatë këtij viti tregojnë se banorët e Kosovës janë duke e humbur besimin tek Bashkimi Evropian. Ekspertët thonë se kjo nuk është aspak befasuese, duke marrë parasysh faktin që katër vjet pasi Kosova zyrtarisht ka përmbushur të gjitha kushtet vazhdon të mbetet i vetmi vend në Ballkan pa liberalizim të vizave me zonën Shengen. Më 13 tetor Këshilli i BE-së e ka futur në rend dite këtë çështje, mirëpo ekspertët thonë se ka edhe arsye tjera, pse jo vetëm pakënaqësia me BE-në po rritet, por edhe ndjesia se Brukseli është i anshëm ndaj Kosovës. Kolegu Artan Haraqija sjell detajet.

Sipas një hulumtimi të fundit 64% e të anketuarve në Kosovë besojnë se BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm.

64% e të anketuarve në Kosovë – BE-ja dhe EULEX-i janë të anshëm

Sipas të njejtës anketë, vetëm 42% kanë qëndrim pozitiv për BE-në

Në një kohë që 94% e të anketuarve thonë se janë të kënaqur me punën e NATO-s.

Cameron Mailhot, autor i hulumtimit me 1600 banorë të Kosovës, i cili është duke kryer studimet e doktoraturës në Universitetin Cornell në Nju Jork, thotë se mes shqiptarëve vihet re një ndjenjë se BE-ja ka pritje pro-serbe.

Autori i Hulumtimit mbi qëndrimet e banorëve të Kosovës ndaj BE-së, Cameron Mailhot, kandidat për Doktoraturë tek Universiteti Cornell

Autori i Hulumtimit mbi qëndrimet e banorëve të Kosovës ndaj BE-së, Cameron Mailhot, kandidat për Doktoraturë tek Universiteti Cornell

Të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së dhe EULEX-it”

“Pyetësori nuk kishte pyetje konkrete nëse BE-ja është anti-shqiptare apo pro-serbe, por të dhënat flasin për pakënaqësi në rritje në Kosovë ndaj BE-së, misionit të saj EULEX-it dhe kjo viher re lehtësisht me mënyrën se si shprehën njerëzit atje. Për shembull në Kosovë sheh parulla gjithandej si ajo që thotë se EULEX-i është prodhim i Serbisë”, thotë zoti Mailhot.

Përpos tij, edhe një hulumtim i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i publikuar në fillim të këtij viti, tregon se për dallim nga viti 2020, kur 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022, kjo shifër ka rënë në 77%.

Viti 2020 – 85% e të anketuarve kanë thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet të jetë vetëm pro BE-së dhe perëndimit, në vitin 2022 kjo ka rënë në 77%

Ish Drejtori për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, nga viti 2006 deri më 2013, Pierre Mirel, thotë se një nga arsyet e qarta është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së: Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro.

Harta Evropiane me pesë vendet që nuk e njohin Kosovën

Harta Evropiane me pesë vendet që nuk e njohin Kosovën

“Banorët në Kosovë mendojnë se fakti që 5 vende nuk e njohin Kosovën, kjo e bën BE-në të anshme ndaj Serbisë në shumë çështje. Këto 5 vende thonë që do ta ndryshonin qëndrimin nëse Sërbia do ta njihte Kosovës”, tha Pierre Mirel, ish Drejtor për Ballkanin tek Komisioni Evropian.

Ky perceptim në Kosovë ushqehet edhe më tej nga fakti se dy zyrtartët e lartë të BE-së, që drejtojnë sot dialogun me Serbinë, Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, vijnë nga qeveri që nuk e kanë njohur Kosovën. Por zoti Mirel thotë se kjo nuk është e drejtë.

Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar.

“Ndoshta kjo është përshtypja e popullit të Kosovës, por është e gabuar. Të marrim rastin tim, kur punoja në Komisionin Evropian. Unë jam francez dhe në rastin ta zëmë, kur autoritetet franceze kanë pasur vështirësi në lidhje me njëren apo tjetrën çështje në Ballkan, atëherë roli im, apo detyra ime ishte që të flisja me ta dhe të bëja përpjekje ppër të gjetur një zgjidhje”, thotë për Zërin e Amerikës Pierre Mirel.

“Dhe, nëse dështoja, kjo padyshim nuk kishte të bënte me faktin që unë jam francez. Nga pervoja ime ju them që kjo nuk ka ndikim.”

Profesori i Universitetit Georgetown në Uashington, Elton Skëndaj thotë se arsyeja për paknaqësinë ndaj BE-së në Kosovë, është mënyra se si funksionon EULEX-i.

EULEX-i mbetet neutral ndonëse duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës”

“EULEX-i mbetet neutral ndaj statusit të Kosovës, ndonëse këtu ekziston një paradoks, që edhe studiuesit e kanë parasysh: EULEX-i duhet të punojë me vetë ato institucione, që përbëjnë bazën e shtetit të pavarur të Kosovës. Mendoj se kjo paqartësi përplaset me qëllimet dhe dëshirat e popullatës shqiptare të Kosovës”, tha për Zërin e Amerikës, Elton Skëndaj dhe shton se paknaqësia në Kosovë me EULEX-in rritet edhe nga pritjet e mëdha që banorët kanë pasur në zgjidhjen e problemeve të trasheguara nga misioni i OKB-së, UNMIK-u, lidhur me sundimin e ligjit dhe trajtimin e krimeve të luftës.

Shumë zyrtarë të lartë në Kosovë nuk e kanë fshehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të luajnë një rol më të madh, për të arritur një zgjidhje përfundimtare me Serbinë. Kjo pasqyron në një farë mënyre mungesën e besimit tek BE-ja, si ndërmjetësuese.

“BE-ja luan rol vërtetë të rëndësishëm si ndërmjetësues në Kosovë në raport me lidhjet me Serbinë dhe në raport me komunitetin ndërkombëtar. Pra, që të ketë mundësi ta luajë rolin e ndërmjetësit, ka rëndësi mënyra se si e shohin njerëzit në atë vend rolin e saj dhe nëse e konsiderojnë atë si aktor të anshëm apo të paanshëm. Kjo ka rëndësi, pasi ekziston një grup i madh banorësh, që e shohin si të anshme dhe dy-të-tretat nuk është një grup i vogël”, vlerëson autori i hulumtimit Cameron Mailhott.

Por, për ish Drejtorin për Ballkanin Perëndimor tek Komisioni Evropian, Pierre Mirel ka arsye për optimizëm.

“Deri më tani BE-ja nuk ka kërkuar njohje. BE-ja thotë që Serbia duhet të pranojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Kosovën, që do të lejonte normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nëse kjo do të ndodhë dhe nuk ndodhë njohja, atëherë unë nuk mendoj që Serbisë do të lejohej t’i bashkohej BE-së”, tha për Zërin e Amerikës zoti Mirel.

Ai kujton se vendi më me ndikim në BE, Gjermania së fundmi e bëri të qartë se njohja do të ishte rruga e Serbisë drejtë anëtarësimit.

Nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së

“Është e qartë se një marrëveshje përfundimtare duhet të sqarojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse nuk mund të mendohet që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të bëhen anëtarë të BE-së”, tha zoti Scholz gjatë qëndrimit në Prishtinë më 10 qershor.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencen me gazetarë në Beograd më 10 qershor 2022 krahas presidentit serb, Aleksander Vuçiç

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencen me gazetarë në Beograd më 10 qershor 2022 krahas presidentit serb, Aleksander Vuçiç

Kjo duket se erdhi si e papritur për Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç i cili disa orë pas kësaj deklarate u takua kancelarin gjerman në Beograd.

Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar dikë në Evropë të bëjnë thirrje për njohje reciproke.

“Ne dëgjuam sot se ka kërkesë për njohje reciproke. Asnjëherë më parë nuk kemi dëgjuar dikë në Evropë të bëjnë thirrje për njohje reciproke. Askush nuk ka folur ndonjëherë për njohje reciproke, përveç amerikanëve, që e miratuan këtë doktrinë tre vjet më parë”, tha në Beograd presidenti serb, Vuçiç.

Qëndrimet e ShBA-ve dhe BE-së ndaj pavarësisë, pasqyrohet edhe nëpër anketa, kur mendimi për Shtetet e Bashkuara ka qënë vazhdimisht pozitiv, për shkak të mbështetjes së palëkundur pro shtetësisë së Kosovës, kundrejt përshtypjeve, ndonjëherë edhe të gabuara ndaj BE-së, për shkak të pozicionit të saj neutral ndaj pavarësisë.

Sipas hulumtimit të Institutit Republikan Ndërkombëtar, shumica absolute e të intervistuarve në vitin 2022 në Kosovë besonin që SHBA është donatori më i madh i huaj, ndëkohë që donatori më i madh i huaj është Bashkimi Evropian me rreth 1.5 miliardë euro të investuara nga viti 2007 deri më 2020, sipas të dhënave zyrtare të BE-së.

Ekspertët gjithashtu vlerësojnë se megjithë pakënaqësinë me BE-në, një fakt i rëndësishëm mbetet i pandryshuar.

“Nëse do e bëje një hulumtim ku do pyesje a dëshironi liberalizim vizash dhe t’i bashkoheni BE-së, unë iu garantoj që mbi 90% do thonin po. Po, ka njerëz që nuk janë të kënaqur ndërsa ata mendojnë pse BE-ja nuk ka bërë aq sa duhet për të ndihmuar duke e pasur parasysh që është donator më i madh?” vlerëson për Zërin e Amerikës, profesori Elton Skëndaj.

Por, arsyeja kryesore për fajësimin e BE-së është mos liberalizimi i vizave. Ky proces nisi në qershor 2012, kur Kosova mori udhërrëfyesin për liberalizim vizash me më shumë kushte, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

“Jam shumë i kënaqur të njoftoj për propozimin tonë për liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës”, njoftonte në maj të vitit 2016 Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitris Avramopoulos, në prani të ministrit të brendshëm të Kosovës, Skënder Hyseni në Bruksel.

Ish Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ish Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitri Avramopoulos

Ish Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skënder Hyseni dhe ish Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitri Avramopoulos

Kosova, deri në miratimin e propozimit duhej të ratifikonte marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe të arrinte rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Një ditë më pas, kryediplomatja e BE-së, Federica Mogherini në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Kosovës foli e gëzuar për lajmin.

“Sot nuk është ditë vetëm për të festuar, por sot është ditë për të parë drejt të ardhmes sonë të përbashkët”, tha zonja Mogherini në Prishtinë më 5 maj 2016.

Por, festa nuk zgjati dhe u deshën edhe dy vjet të tjera derisa Komisioni Evropian bëri rekomandimin përfundimtar për liberalizim vizash për Kosovën.

“Ne mund të konfirmojmë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim e vizave. Nuk ka qenë e lehtë, e dimë këtë”, tha Komisioneri Avramopoulos.

Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitri Avramopoulos

Ish Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish Komisioneri Evropian për Migrim, Dimitri Avramopoulos

Në shtator të vitit 2018 Parlamenti Evropian votoi pro nisjes së negociatave të brendshme për këtë çështje.

“Kredibiliteti i Parlamentit është jo pak në rrezik. Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim vizash. Unë ju kërkojqë të votoni pro. Qytetarët e Kosovës e meritojnë këtë”, tha para euro deputetëve raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizim Vizash, Tanja Fajon.

“Vizat do të duhej të ishin liberalizuar deri më tash. Ky vendim nuk është marrë për shkak se disa vende anëtare e kanë kundërshtuar pasi kishin vlerësim ndryshe në lidhje me përmbushjen e kushteve nga Kosova. Prandaj, kjo çështje është bllokuar prej katër vjetësh. Unë e kuptoj që qytetarët e Kosovës e konsiderojnë këtë si diskriminim”, tha për Zërin e Amerikës, Pierre Mirel, ish Drejtori për Ballkanin tek Komisioni Evropian.

Më 13 tetor Këshilli i BE-së, me propozimin e Çekisë e ka futur në rend dite diskutimin e kësaj çështjeje, por deri tek udhëtimi pa viza kërkohen edhe një mori procedurash dhe votimesh brenda strukturave të BE-së:

  • Procesi mund të ecë para nëse Ambasadorët e BE-së votojnë pro nisjes së negociatave brenda bllokut evropian.
  • Nëse kjo fazë kalohet, atëherë fillojnë diskutimet mes tre shtyllave të bllokut: Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
  • Nëse arrihet marrëveshje, atëherë ajo i shkon për miratim Ambasadorëve të BE-së.
  • Më pas, Parlamenti Evropian duhet të votojë pro liberalizimit të vizave.
  • Pas Parlamentit, prapë janë ambasadorët e BE-së ata që duhet të votojnë pro liberalizimit të vizave.
  • Votimi i fundit duhet të bëhet nga Ministrat e BE-së.
  • Nëse edhe ministrat evropian e miratojnë liberalizimin e vizave, atëherë akti ligjor duhet të nënshkruhet nga të tri shtyllat e BE-së, Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Këshilli Evropian.
  • Vendimi, përfshirë ditën kur ai hyn në fuqi, duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe me këtë merr fund odiseja për udhëtim pa viza.

Megjithë marrëdhëniet e komplikuara, ekspertpt janë të një mendimi se Ballkani Perëndimor nuk ka alternativë tjetër veç BE-së.

Presidenca: Përfaqësimi në takimin e Pragës i barabartë, me emrat e liderëve

Për herë të parë nesër do të mblidhet Komuniteti Politik Europian, një nismë e propozuar nga presidenti francez Macron, i cili për qëllim ka të bëjë bashkë shtetet europiane për të nxitur dialogun politik dhe bashkëpunimin mes tyre në çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Europë.

Në këtë samit do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot ka udhëtuar drejt Pragës me ftesë të Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala.

Sipas agjendës së publikuar në faqen zyrtare të Këshillit Europian, Kosova paraqitet si vend pjesëmarrës me fusnotë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka thënë se e kanë konfirmimin nga organizatorët se të gjitha shtetet pjesëmarrëse të samitit do të trajtohen barabartë.

“Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Çekisë, Petr Fiala, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Pragë do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e parë të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Ne e kemi konfirmimin me shkrim nga organizatorët se të gjitha shtetet në samit, do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me emrat e liderëve, sipas formulës së përdorur edhe në takimet e tjera, në samitet ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kupina.

Siç njofton Presidenca, krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Europian, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë europianë për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

“Para liderëve europianë, Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë. Gjatë takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të diskutojë edhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Komuniteti Politik Europian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron dhe në të cilën do të bashkohen liderët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian (BE) dhe liderët e 17 vendeve të tjera europiane.

Wesley Clark: Kosova duhet ta kontrollojë veriun

Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka thënë se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore.Sipas tij, përveç çështjes së targave, ka edhe mënyra tjera për ta treguar sovranitetin.

“Situata mes Kosovës dhe Serbisë është më ndryshe. Ajo që dua të them është se Kosova duhet ta forcojë sovranitetin e saj dhe ta kontrollojë pjesën veriore të vendit. Çështja e targave është një shembull i mirë për të treguar sovranitet, por ka edhe metoda të tjera që mund të përdoren. Ndërsa në Beograd, kemi një ambasador të madh, ai është Christopher Hill, i cili e kupton shumë mirë situatën. Ai ishte ambasador edhe në Maqedoni gjatë kohës së luftës 1998-1999. Ai është në vendin dhe momentin e duhur”, tha ai për Teve1.

Po ashtu, Clark tha se dialogu Kosovë – Serbi duhet të ketë vazhdimësi, pasi siç tha ai, kjo do jetë në interesin e qytetarëve të Kosovës.

Se a ka rrezik për ndonjë luftë, Clark tha se duke ditur kapacitetet e NATO-s kjo nuk e shqetëson aspak.“Gjithashtu edhe në Kosovë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë emëruar një ambasador të mirë. Pra situata është më e sigurt në Kosovë, duke konsideruar edhe rolin e KFOR-it. Duhet të vazhdojë dialogu me Serbinë, edhe nëse ka shumë dallime e probleme. Kjo është edhe në interesin e qytetarëve të Kosovës. Nuk jam shumë i shqetësuar për Ballkanin, sepse e di që NATO është aty për të intervenuar shpejt nëse shkaktohen trazira. Fjalët për luftë nuk më shqetësojnë, sepse i di kapacitetet e NATO-s”, deklaroi Clark.

“Padyshim që Kosova një ditë do të bëhet anëtare e NATO-s”, theksoi tutje Clark.Express

Prokuroria e Hagës dorëzon aktakuzën e ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë njoftuar se bazuar në vendimet e gjyqtarit të procedurës paraprake, të datës 22 korrik 2022 dhe 29 shtator 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime në komunën e Ferizajt.

Ndërsa, gjykatësi kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëj ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Sa i përket kesaj, ZPS u urdhërua ta dorëzojë deri me 30 shtator aktakuzën e ndryshuar më tej.

Një njoftimin e DhSK-së thuhej se më 22 korrik, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes së Thaçit që pretendon mangësi në aktakuzën e fundit kundër të akuzuarve në këtë çështje gjyqësore, e dorëzuar më 29 prill 2022. “Gjykatësi Giju urdhëroi ZPS-në që, deri më 30 shtator 2022, të dorëzojë aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar më tej, me një numër informacionesh shtesë lidhur me akuzat aktuale. Hollësitë lidhur me shtesat mund t’i gjeni në vendimin aktual”, thuhej në njoftim.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. Express

Kosova vendos regjim vizash për shtetasit rusë

RFE/RL

Të gjithë shtetasit rusë, përfshirë ata me pasaporta diplomatike, të cilët duan të hyjnë, kalojnë transit apo qëndrojnë në Kosovë, duhet të pajisen me vizë.

Ky vendim është marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 30 shtator.

“Të gjithë shtetasit e Federatës Ruse, bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike, si dhe ata që kanë leje-qëndrim biometrik valid, të lëshuar nga shtetet e zonës Shengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës për hyrje tranzit dhe qëndrim në territorin e Kosovës”, tha kryeministri, Albin Kurti.

Më herët qytetarëve rusë me pasaporta diplomatike dhe zyrtare u lejohej hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës, pa vizë.

Gjithashtu, liroheshin nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare edhe shtetasit e vendeve për të cilët Kosova aplikon regjim vizash, por të cilët kishin leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Shengen.

Kjo ishte e rregulluar në vendimin e Qeverisë për kushtet e hyrjes dhe regjimit të vizave për të huajt në Republikën e Kosovës, të marrë në vitin 2011.

“Ky vendim është në raport me obligimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe në koherencë me vendimin e fundit të Bashkimit Evropian për pezullim të marrëveshjes për lehtësim të vizave Shengen për shtetasit rusë dhe vazhdimin e masave kufizuese dhe ndëshkuese kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit ushtarak kundër Ukrainës”, tha zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi.

Më 31 gusht, Bashkimi Evropian pezulloi marrëveshjen për viza me Rusinë si një “hap i parë i domosdoshëm”.

Për pasojë, rusët do ta kenë më të vështirë sigurimin e një vize dhe procesi do t’iu kushtojë më shtrenjtë.

Vendet e BE-së nuk kanë arritur të pajtohen për një ndalesë totale për vizat turistike për rusët, meqë vendet anëtare janë të ndara në këtë çështje.

Kievi i ka bërë thirrje BE-së që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë.

Ministri i Financave i Kosovës: Kemi dhënë 60 mln euro për energjinë, çmimi për kilovat është më i lirë se në Shqipëri

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se si shtet është fat i madh, që po tejkalohet më së liri dhe lehti në rajon kjo krizë me energji elektrike. Murati ka thënë se të gjitha shtetet tjera fqinjë, kanë ndarë buxhetin më të lartë për këtë çështje.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se energjinë e kanë subvencionuar me 60 milionë euro deri tani nga 90 milionë sa ka qenë zotimi i Qeverisë, dhe se për të përfunduar i gjithë zotimi ka afat deri më 31 mars 2023.

“Çdo vendim që merret siç e kam thënë në pjesën e parë të intervistat do të realizohet. Siç e kam thënë edhe herën e kaluar përmbushja e zotimit është deri më 31 mars 2023 dhe çdo zotim që e ka bërë qeveria do të bëhet dhe do të realizohet. Si Ministri e Financave ndarjen buxhetore e kemi bërë. Shuma e ndarë deri më tani në kuadër të zotimit prej 90 milionë euro është 60 milionë euro deri tani shuma e alokuar në Ministrinë e Ekonomisë. Janë bërë dy alokime, alokimi i parë ka qenë ndarja prej 41 milionë euro dhe alokimi i dytë është prej 19 milionë euro”, tha Murti.

Murati në intervistimin nga Komisioni Hetimor për Energji tha se për shkak të subvencionimit çmimi i energjisë elektrike për kilovat është më i lirë në Kosovë se në Shqipëri.

“Përmbushja e zotimit ka afat deri më datën 31 mars 2023 dhe nuk është afat që ka skaduar, çdo afat do të përmbushet. Nëse e marrim Shqipërinë si rast konkret atje është shtuar blloku i ri tarifor – njësoj siç e kemi bërë edhe ne ku mbi nivelin prej 800 kilovat të konsumit në muaj ka tarifë tjetër. Por, nëse i krahasojmë tarifat në Kosovë tarifa nën 800 kilovat, tarifa e shtrenjtë e ditës kushton 6,75 centë kurse në Shqipëri nëse konvertohet kushton rreth 8 centë kurse mbi 800 kilovat tek ne kushton rreth 12 centë ndërsa në Shqipëri 36 centë. Për shkak të subvencionimit e kemi çmimin më të lirë prej 12 centë”, tha Murati.

Murati ka deklaruar se çdo vendim që merret nga qeveria e Kosovës është i bazuar në ligj dhe bazohet në kornizën ligjore. “Ne si ministri ndarjet i ndajmë duke u bazuar në ligj, sipas kërkesave që na vijnë. Funksioni është financimi dhe prioriteti i qeverisë”.

Kurse sa i përket asaj se ku shkojnë mjetet, Murati bëri me dije se mund të shtohet blloku tarifor, e që e ka marrë edhe Shqipëria. ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se fasha e energjisë elektrike për 800 kilovat në orë nuk do të hyjë në fuqi në muajin tetor, sikurse ka vendosur Enti Rregullator i Shqipërisë.

Përmes një videoje në Facebook, Rama tha se ky lajm është pozitiv, ndërkohë që iu bëri thirrje qytetarëve që ta kursejnë sa më shumë energjinë.

“Në këtë ulje të ndjeshme, ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm, ka edhe fillimi i dukshëm i një qasjeje pozitive të abonentëve familjarë, për ta kursyer energjinë. Në këto kushte, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800kë, të mos hyjë në fuqi në 1 tetor”.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi.

/Monitor.al

Shqiptarët e Kosovës kanë mbi 5 miliardë euro nëpër bankat e vendit!

Depozitat e shqiptarëve të Kosovës nëpër bankat tregtare të nivelit të dytë në vend arrijnë në 5 miliardë e 206 milionë.

Sipas mediave lokale, këtë e thekson raporti i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës, i publikuar këtë të enjte por që pasqyron gjendjen për muajin gushtë.

Depozitat e ekonomive familjare janë  3 miliardë e 524.7 milionë

Depozitat e korporatave jo financiare 1 miliard e 048.5 milionë,

Depozitat e korporatave tjera financiare 262.1 milionë.

Në Kosovë aktualisht operojnë 11 banka komerciale.gsh

50 euro ‘mbajnë peng’ mësimin në Kosovë, hyn në muajin e dytë greva e përgjithshme në sistemin e arsimit

VOA

 

Prindërit e nxënësve të shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë protestuan të martën në oborrin e kësaj shkolle me thirrjet që t’i jepet fund grevës së përgjithshme në sistemin e arsimit. E filluar më 25 gusht greva ka hyrë në muajin e dytë dhe ende nuk ka një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave që do të mundësonte fillimin e vitit të ri shkollor.

“Siç po shihet greva tani veç ka marrë kahje politike dhe ka humbur karakteri i grevës, qëllimin dhe të gjitha. Kështu që kemi ardh edhe ne si prind në një situatë që tani më duhet të reflektojmë, ndoshta pak me vonesë po edhe ne nuk kemi besuar se do të merr kaq shumë kohë”, tha Besart Macula prind i një vajze në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

“Ka qenë një pushim shumë i gjatë për fëmijët, është lidhur me pushimin veror dhe tash kjo po ndikon shumë negativisht por edhe ende nuk kanë përgjigje kur kanë me dal në banka shkollore. Psiqikisht po ndikon te fëmijët negativisht”, tha Krenare Osmani Gjukaj, nënë e dy fëmijëve në shkollën “Naim Frashëri” në Prishtinë.

Vlora Vokshi nga Këshilli i Prindërve të shkollës bëri thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave.

“Kërkesa jonë e vetme është të fillojnë fëmijët sa më shpejt mësimin shkollor. Kjo protestë nuk ka të bëjë as që ne prindërit t’i mbajmë anën sindikatës së arsimit apo qeverisë por kjo kryesisht është për të mirën e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Por gjetja e një zgjidhjeje mbetët e vështirë sipas kryetarit të Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i cili në një bisedë për Zërin e Amerikës theksoi gatishmërinë për një marrëveshje me qeverinë.

“Fatkeqësisht ky kryeministër është barrikaduar dhe unë uroj që anëtarësia të na jap sinjale tjera dhe ne si zë i tyre do të veprojmë ashtu siç vendosin anëtarësia. Uroj që ata të na japin sinjale të tjera sepse e pranoj është bërë kohë e gjatë, nxënësit janë jashtë shkolle dhe sidomos e kemi dhimbjen më të madhe te çerdhet sepse prindërit që punojnë në sektorin privat apo publik i kanë një mijë e 1 halle se ku t’i lën ato bebe të tyre dhe uroj që kjo situatë të ndërroj dhe të kemi një situatë shumë më të qetë”, tha zoti Jasharaj.

Punonjësit e arsimit kërkojnë 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin e Ligjit te Pagave. Qeveria ka ofruar 50 euro shtesë në muaj për pjesën e mbetur të këtij viti, në kuadër të një pakoje për përballjen me inflacionin. Takimet ndërmjet palëve deri tani nuk kanë prodhuar rezultat në përafrimin e qëndrimeve që do të hapte rrugë për t’i dhënë fund grevës e cila ka lënë jashtë procesit mësimor mbi 320 mijë nxënës.

“Besoni, të gjithë sindikalistët janë shumë të shqetësuar dhe nuk kanë dashur që të vijë deri te kjo por nëntë muaj ka munguar dialogu, e bën grevën me 25 gusht duke shpresuar së së fundmi atë javë do ta shfrytëzoj qeveria por ajo është barrikaduar dhe një qasje tejet negative ndaj sindikatave”, tha Rrahman Jasharaj.

Ndonëse disa shkolla kanë haur dyert për nxënësit, zoti Jasharaj thotë se më shumë se 98 për qind e sistemit arsimor është në grevë.

Partitë opozitare mbështesin kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, ndërsa po kërkojnë zgjidhje nga qeveria për t’i dhënë fund bllokadës në sistemin arsimor.

“Ne nuk shohim asnjë justifikim që të vazhdon situate e tillë, kjo është një krizë e cila për një ego të një kryeministri që nuk dëshiron të dialogoj dhe gjejë zgjidhje por gjen fuqinë që të tallet me mësimdhënësit dhe kërkesat e tyre, ne mendojmë që është e paprecedentë kjo nuk ka ndodh ndonjëherë dhe nuk duhet të vazhdojë asnjëherë”, tha Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plotësimi i kërkesës prej 100 euro në muaj do të ishte gabim meqë do të nxiste kërkesa të ngjashme të grupeve të tjera, ndërsa ka nënvizuar se greva është politizuar dhe po përdoret kundër qeverisë së tij.

Ekspertë të arsimit në Kosovë thonë se një ditë e humbur e mësimit në Kosovë ka rol shumë më të madh se në vendet tjera për shkak të ngecjes në cilësi që e karakterizon ende sistemin arsimor të vendit.

REL: Franca është zbutur, tash nuk është kundër liberalizimit për Kosovën

Vetëm disa muaj nga përmendja e idesë për krijimin e një bashkësie politike evropiane është thirrur takimi i liderëve të vendeve që supozohet se do të jenë pjesë e kësaj bashkësie.

Idenë e ka shpalosur së pari presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në muajin maj, e pas tij edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Dallimi është se Michel ka menduar ta emërojë organizatën e re si “Bashkësi Gjeopolitike Evropiane”, ndërsa Macron “Bashkësi Politike Evropiane”.

Qëllimi, megjithatë, është i njëjtë: të krijohet një format, ku do të bashkëvepronin të gjitha vendet e kontinentit “që duan të ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta”, jo vetëm ato që janë anëtare të Bashkimit Evropian. Ndonjë afat se kur do të mund të formohet, nuk ka.

Këshilli Evropian ka konfirmuar se tashmë janë dërguar ftesat për pjesëmarrësit në samitin e Pragës, që do të zhvillohet më 6 tetor.

Ata do të përfshijnë udhëheqësit e 27 vendeve evropiane që nuk janë anëtare të BE-së, të 27 vendeve të BE-së, si dhe presidenten e Komisionit Evropian dhe presidentin e Këshillit Evropian. Janë ftuar, pra, të gjitha shtetet që ekzistojnë në Evropë, me përjashtim të Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.

Ftesat janë dërguar bashkërisht nga kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, vendi i të cilit aktualisht ka kryesimin e BE-së, dhe nga Charles Michel, president i Këshillit Evropian.

Është caktuar, po ashtu, agjenda e takimit, e cila nuk përfshin ndonjë diskutim për strukturat eventuale të kësaj “bashkësie”, por tema aktuale si: paqja dhe siguria, energjia dhe ndryshimet klimatike, situata ekonomike, si dhe migracioni dhe mobiliteti.

Të gjitha këto shihen si tema urgjente dhe janë në interes të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve.

Burimet diplomatike në BE pranojnë se në prag të dërgimit të ftesave, ka pasur shumë dilema, meqë ideja është që në bashkësinë politike evropiane të jenë “të gjitha vendet që ndajnë të njëjtat vlera të demokracisë dhe lirive themelore”. Por, ky formulim, sipas disa diplomatëve të BE-së, ka ngjallur dyshimin se a mund të ftohen edhe shtetet që kanë probleme me respektimin e vlerave të demokracisë dhe me lirinë e mediave, apo edhe ato që nuk i mbështesin sanksionet e BE-së kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, në fund është vendosur që të ftohen të gjitha këto vende – në mesin e tyre edhe gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Turqia, Armenia e Azerbajxhani.

“Pa marrë parasysh se çfarë mendojmë për nivelin e demokracisë në këto vende, nuk është e mundur që pa to të adresohen shqetësimet urgjente që i kemi, si: siguria e furnizimit me energji, sfidat e përballjes me emigrimin ilegal dhe paqja e siguria në kontinentin tonë dhe fqinjësinë evropiane”, thotë një diplomat i BE-së.

Dilema më e madhe që është shfaqur rreth kësaj ideje, është nëse krijimi i një bashkësie politike evropiane do të ndikojë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe do të shërbejë si një lloj zëvendësimi – së paku për një periudhë kalimtare – për anëtarësimin formal të disa vendeve në BE.

Këto shqetësime, në disa raste, janë vlerësuar si të pabaza, edhe në nivele të ndryshme të BE-së, por edhe nga nismëtarët e kësaj ideje.

Një zyrtar i BE-së, duke shpalosur për gazetarët qëllimet e bashkësisë politike evropiane, për të cilën tashmë përdoret shkurtesa EPC, ka thënë se “EPC-ja nuk i zëvendëson organizatat ekzistuese, strukturat apo proceset dhe nuk e ka për qëllim që në këtë moment të krijojë struktura apo procese të reja”.

Sipas të njëjtit burim, qëllim kryesor i bashkësisë politike evropiane është të ofrojë platformë “për koordinim politik për të gjitha vendet e kontinentit”, përmes së cilës, po ashtu, “do të forcohej dialogu dhe bashkëpunimi në adresimin e sfidave dhe interesave të përbashkëta”.

Ideja është që liderët, në nivel krejtësisht të barabartë, të takohen një apo dy herë në vit.

Por, përkundër pohimeve të përsëritura se “kjo nismë nuk ka për qëllim të jetë alternativë e procesit të zgjerimit”, ka diplomatë që mendojnë se krijimi i kësaj bashkësie mund të ndikojë, së paku, në ngadalësimin e procesit të zgjerimit – proces që edhe ashtu është i ngadalshëm.

Një prej arsyeve për dyshim lidhet me faktin se kjo ide është përmendur për herë të parë nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit, krahas Holandës, ka qenë për një kohë të gjatë në krye të shteteve të BE-së, që janë shprehur skeptike për procesin e zgjerimit dhe kanë ndikuar që ky proces të ngadalësohet.

Por, në një ‘non-paper’ që ka ndarë me shtetet tjera anëtare të BE-së, Franca ka sqaruar se “politika e zgjerimit – për shkak të kërkesave për reforma të domosdoshme që duhen plotësuar për t’u anëtarësuar në BE dhe kohëzgjatjes së këtij procesi – nuk ofron sot kornizë të nevojshme politike për t’u përgjigjur ndaj nevojave historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta në Ukrainë, si dhe për strukturimin politik të kontinentit tonë evropian”.

“Për këtë arsye, ne propozojmë që këtë vit të krijohet bashkësia politike evropiane mes të gjitha vendeve evropiane që dëshirojnë të kontribuojnë së bashku për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit tonë”, thuhej në këtë dokument.

Po sipas tij, “bashkësia politike evropiane do të jetë e hapur për shtetet evropiane që ndajnë vlerat demokratike, pa marrë parasysh nëse janë ose jo anëtare të Bashkimit Evropian dhe pa marrë parasysh natyrën e raporteve të tyre me Bashkimin Evropian”.

Me këtë dokument, Franca ka bërë përpjekje t’i heshtë zërat që kanë tërhequr vërejtjen se kjo ide mund të ketë për qëllim ta dëmtojë procesin e zgjerimit, duke krijuar alternativë.

“Bashkësia politike evropiane nuk do të jetë alternativë e anëtarësimit në BE dhe nuk do të jetë zëvendësim për procesin e zgjerimit. Për shtetet evropiane që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, për më tepër, do të jetë mundësi për forcimin e lidhjeve me vendet e BE-së përpara se të bëhen anëtare, si në aspektin politik, ashtu edhe në pjesëmarrjen e tyre në disa politika të BE-së”, thuhej në këtë dokument.

Burimet diplomatike në Bruksel thonë se sjellja e Francës në raport me zgjerimin e BE-së ka ndryshuar dhe se ky shtet është më “miqësor” ndaj zgjerimit.

“Franca ka qenë shumë e angazhuar për heqjen e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Besoni se pa angazhimin e Francës, kjo vështirë se do të ndodhte. Franca, krahas Gjermanisë, po angazhohet edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe, tani, Franca nuk është kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Po ashtu ka mbështetur edhe dhënien e shpejtë të statusit të vendit kandidat për Ukrainën dhe Moldavinë”, thotë një burim i BE-së, duke shtuar se “skepticizmi i Francës ndaj procesit të zgjerimit i takon ndoshta së kaluarës”.

Në selinë e BE-së në Bruksel thonë, madje, se ky forum do të shërbejë për forcimin e raporteve mes vendeve kandidate që duan të jenë në BE dhe vendeve të BE-së. Në këtë mënyrë, ato do të mund të përparojnë edhe në arritjen e qëllimeve të tyre për anëtarësim formal në BE.

“Këtu mendojmë pikësëpari në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ato duan të bëhen anëtare të BE-së dhe në BE tash ekziston vullneti që të mbështeten në këtë rrugëtim”, thotë një burim diplomatik, duke rikujtuar se këtë e ka theksuar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj vjetor për gjendjen e unionit.

Von der Leyen e ka përmendur Ballkanin derisa ka folur për nevojën që të rishqyrtohet politika e jashtme e BE-së.

“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë nis me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë. Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe, ne duhet ta mobilizojmë fuqinë tonë kolektive. Mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë, është duke forcuar lidhjet me vendet demokratike në kontinentin evropian”, ka thënë von der Leyen.

Porosi të veçantë, ajo u ka dërguar vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë – të vetmet që kanë aspirata për t’u anëtarësuar në BE.

“Kjo nis me ato vende që tashmë janë në rrugën drejt unionit tonë. Ne duhet të jemi në anën e tyre, në secilin hap në këtë rrugë. Sepse, rruga drejt demokracisë së fuqishme dhe rruga drejt Bashkimit Evropian janë të njëjtat. Prandaj, dua që njerëzit në Ballkanin Perëndimor, në Ukrainë, në Moldavi dhe në Gjeorgji ta dinë: Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në union, dhe unioni ynë nuk është komplet pa ju”, ka thënë von der Leyen, duke shprehur edhe mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian për krijimin e bashkësisë politike evropiane.

Një diplomat i BE-së ka thënë se kjo nismë, “në vend që të jetë alternativë e zgjerimit, mund të jetë mundësi për ta ndihmuar procesin e zgjerimit”.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, negociatat e anëtarësimit i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa nga muaji korrik i kanë hapur formalisht edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm Marrëveshje Stabilizim Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Ndryshe nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e vetmja që nuk ka liberalizim vizash me vendet evropiane, apo me atë që njihet si zona Shengen.

Ministri i Kroacisë për Evropën: Muajt e ardhshëm janë vendimtarë për marrëveshjen Kosovë – Serbi

Në dialogun që po vazhdon për më shumë se një dekadë në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, periudha që po vjen është më e rëndësishmja, ka deklaruar Gordan Grliç-Radman, ministri i Kroacisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Prandaj, Grliç-Radman – që karrierën si diplomat e filloi bashkë me vetë shtetin e Kroacisë kur fitoi pavarësinë nga Jugosllavia dhe disa nga ambasadat e shtetit të pavarur i themeloi vetë – tërheq vërejtjen për vëmendje të shtuar në këtë kohë.

“Këta muajt e ardhshëm do jenë vendimtarë për marrëveshjen”, thotë Grliç-Radman në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Cilat do jenë specifikat, Grliç-Radman pohon se nuk i di, porse “çfarëdo zgjidhje për të cilën gjendet pajtim, duhet t’i kontribuojë stabilitetit rajonal”.

Kohët e fundit ka pasur një aktivitet të madh diplomatik nga perëndimi për çështjen e dialogut dhe koordinim mes autoriteteve dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht të dërguarit për Ballkanin, Gabriel Escobar.

“Kur ka vullnet, ka edhe shanse”, thotë Grliç-Radman për mundësinë e arritjes së një marrëveshje, por “bashkëpunimi aktiv në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe diplomacisë evropiane në këtë çështje është padyshim inkurajuese”.

Grliç-Radman është kryediplomat i Kroacisë nga vera e vitit 2019. Për t’u bërë kryeministër kishte lëshuar pozitën e ambasadorit të Kroacisë në Gjermani e para Gjermanisë në Hungari.

Ai u bë shumë i përfolur kohëve të fundit në Serbi, kur anuloi një vizitë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në Kroaci.

Vuçiç e kishte menduar vizitën në nivel privat, por Grliç-Radman s’kishte dhënë leje. Pati deklaruar se vizita s’mund të bëhet dot, sepse “s’jemi njoftuar zyrtarisht” dhe “duhet ta dimë agjendën, kohën zyrtare dhe natyrën e vizitës paraprakisht”.

Qëndrimi Grliç-Radman prodhoi tensione diplomatike, prandaj ai deklaron për AP se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet ta ketë edhe efektin e stabilitetit rajonal.

“Ne presim që dialogu të rezultojë me një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që do normalizonte raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ne mbështesim zgjidhje që do të kontribuonin në stabilitetin e përgjithshëm dhe prosperitetin në rajon dhe që do çonin të një njohje e ndërsjellë”, thotë ministri kroat.

“Pozicioni ynë është që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, por me normalizimin e raporteve në mes dy vendeve”.

Sa për njohjen e Kosovës nga Serbia, për të cilën edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaron se duhet të jetën “në qendër”, Grliç-Radman beson se kjo “është e pashmangshme”.

Politikani korat përmend edhe faktin se marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen të gjitha, përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Të gjitha marrëveshjet të arritura në Bruksel duhet të respektohen. Gjithsesi, Asociacioni duhet të jetë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk duhet të ketë fuqi që e vënë në rrezik sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës”.

Asociacioni nuk është tema e vetëm në të cilën Kosova dhe Serbia kanë mospajtim në implementim në raport me çfarë është arritur në Bruksel në dekadën e kaluar.

Vetëm edhe pak ditë, skadon edhe marrëveshja gojore e arritur për letërnjoftimet, derisa përfundon afati për ri-regjistrimin e targave nga ato të Serbisë në RKS, për serbët në Veri.

Grliç-Radman u druhet tensioneve, edhe për faktin që shtete të tjera – të treta – provojnë të shtrinë influencën vazhdimisht në Ballkan.

“S’ka dyshim që Evropa Juglindore është e ekspozuar karshi influencave të vendeve të treta, siç pamë edhe rishtazi sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë. Prandaj, bashkëpunimi në mes të BE-së dhe NATO-s është ekstremisht i rëndësishëm në rrethanat që jemi”, thotë ai.

“Për këtë, mirëpresim veçanërisht deklaratat e bëra së fundi nga Sekretari Gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, se KFOR-i është gati të mbajë rendin dhe paqen në Kosovë”.

Kryeministri dhe presidentja ftohen ta vizitojnë veriun e Mitrovicës

Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skënder Sadiku, ka thënë se në terren në këtë komunë ka siguri dhe normaliteti nuk është larg, por, sipas tij, është politika që me retorikën e saj po shkakton kokëçarje te banorët.

Sadiku është shprehur optimist se marrëveshja finale Kosovë-Serbi është afër. Sipas tij, tashmë në këtë drejtim “po luhen minutat e fundit”.

“Ne jemi lodhur me problemet, telashet e mëdha, të cilat kanë interferuar në jetën e përditshme dhe të gjitha komunitetet tashmë po presin që të arrihet një normalitet… Jemi në pritje të marrëveshjes gjithëpërfshirëse që është afër”, ka thënë ai.

Sipas tij, jo veç shqiptarët, por edhe komuniteti serb është lodhur nga telashet në veri.

Duke folur për sigurinë, Sadiku ka thënë se uniformat e Policisë së Kosovës dhe shtimi i trupave të KFOR-it, kanë shtuar një relaks te qytetarët.

Ai ka thënë se tashmë serbët dalin lirshëm në pjesën jugore e se shqipja flitet lirshëm në pjesën veriore. Sipas tij, për kohë të gjatë ka qenë e pamundur të shihen vetura me tabela RKS në veri, por tash “po jepen shenja pozitive”.

“Jemi lodhur dhe duhet t’u kthehemi gjërave normale. Në terren më s’ka telashe e ka lëvizje të lirshme. Tash ka distancë kohore prej 23 vjetësh dhe me këto kalkulime që po bëhen po duket dritë e madhe. Në proces ka ndodhur që as që është vërejtur tuneli apo drita në tunel, por tash jemi duke e kaluar tunelin dhe po e shohim normalizimin”, ka thënë Sadiku në Interaktiv.

Ai ka thënë se qytetarët në veri kanë nevoja esenciale për ndërhyrje të shtetit në infrastrukturë, shëndetësi e arsim.

“Siguria është në nivel, por politika jo. Ajo po e bën atë të veten. Shpresoj të mbesin në fjalët që në terren të mos kenë efekte e të merremi me çështje të mëdha për ne, por banale për të tjerët”, ka thënë Sadiku. “Lista Serbe është pjesë e Qeverisë. Goran Rakiq është ministër. Pra politika po e bën të veten. Ne u përgjigjemi ligjeve të Kosovës… Politika po e bën të veten, përmes retorikave”.

Sadiku ka ftuar liderët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti që të vizitojnë Mitrovicën e Veriut./Koha.net/

Liberalizmi i vizave për qytetarët, Brukseli afron Kosovën drejt fazës vendimtare

Javët dhe muajt e ardhshëm pritet të jenë vendimtarë për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, thonë burimet diplomatike në Bruksel.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ato thonë se ka një gatishmëri politike mes vendeve anëtare të BE-së, që të finalizohet procesi dhe të miratohet vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Schengen.

Për më tepër, thonë burimet, “tash nuk dëgjohen zëra kundër liberalizimit të vizave”, gjë që dëshmon se është krijuar një moment i duhur për ta çuar procesin përpara.

Po sipas burimeve, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjatë muajit tetor, do të nisë të diskutohet në grupet punuese të Këshillit të BE-së – aty ku janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të unionit.

Çështja ka mbetur peng për më shumë se tre vjet pikërisht në Këshill, ku, deri më tash, ka pasur shtete skeptike për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, duke argumentuar se “nuk ka ardhur ende koha për një gjë të tillë”.

Dy institucionet tjera të BE-së, që kanë rol në vendimmarrje – Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian – kanë shfaqur mbështetjen e plotë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe ka rekomanduar që të hiqen vizat për qytetarët e saj.

Komisioni Evropian edhe tash ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin e shprehur më parë, se Kosova vazhdon t’i përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim vizash.

Parlamenti Evropian, për vite me radhë, jo vetëm se ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, por u ka bërë thirrje vendeve anëtare që në Këshillin e BE-së të miratojnë sa më parë vendimin për liberalizim vizash.

Shenjat e para për mbështetje politike për liberalizimin e vizave janë shfaqur gjatë samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në muajin qershor, në Bruksel. Asokohe, shumë liderë të vendeve të BE-së publikisht kanë mbështetur liberalizimin e vizave.

Por, tani, duhet të kryhet edhe puna teknike nga ekspertët dhe nga grupet punuese. Diplomatët në Bruksel kanë paralajmëruar se Komisioni Evropian, më 12 tetor, në raportet vjetore të progresit, të përsërisë se Kosova vazhdon t’i përmbushë kriteret për liberalizim të vizave.

Më pas, kjo temë do të duhej të dilte në rend të ditës në takimin e grupeve punuese për vizat në Këshill – po ashtu në mes të muajit tetor.

Edhe në ato takime, ekspertët nga Komisioni Evropian do të mund të raportojnë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Nga këto diskutime do të varet se sa shpejt do të vazhdojë procesi, por pritet që ai, siç thonë burimet, “të shkojë drejt përmbylljes”.

Diplomatët në Bruksel kanë thënë se është shumë e rëndësishme që Kosova po i vazhdon kontaktet e shpeshta me disa vende anëtare të BE-së, në nivel të ministrive të Punëve të Brendshme, për të adresuar çfarëdo shqetësimi që mund të kenë disa shtete lidhur me liberalizimin e vizave.

Ndonëse konfirmojnë se “është një moment shumë pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe se “kjo çështje do të jetë tash në rend të ditës në Këshill”, diplomatët në Bruksel hezitojnë të përmendin data apo afate kohore se kur do të mund të merrej vendimi.

Se ekziston një mbështetje në nivel politik nga shtetet kryesore për liberalizimin e vizave, dëshmon edhe thirrja e përbashkët që kanë bërë këtë javë ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë për “përparim në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Sipas burimeve diplomatike, Franca, për një kohë të gjatë, ka qenë kundër liberalizimit të vizave, duke përmendur si arsyetim, mes tjerash, “përvojën jo të mirë me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë” – vende nga të cilat kishte një numër të madh të azilkërkuesve të pabazuar në Francë.

Në mesin e vendeve skeptike ka qenë dhe Holanda. Por tash as Franca e as Holanda nuk shprehen më kundër dhe thonë se “duhet të pranohet progresi që ka bërë Kosova në përmbushjen e kushteve”.

Përveç përmbushjes së kushteve teknike nga ana e Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave, thonë diplomatët në Bruksel, rëndësi kanë edhe rrethanat politike.

Me vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në korrik – proces që ka nisur pas shumë pengesave politike – është krijuar një moment pozitiv në politikën e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kosova është vendi i vetëm në këtë rajon që nuk ka lëvizje të lirë në zonën Shengen./ REL

Lajçak vizitë të paparalajmëruar në Prishtinë, Kurti largohet nga seanca e Kuvendit për ta takuar

Emisari i BE-së, Miroslav Lajcak, po qëndron për vizitë në Prishtinë, të dytën brenda më pak se dhjetë dite. Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, i cili ka arsyetuar largimin e Kurtit nga Kuvendi duke treguar se po takohet me Lajcakun.Kjo vizitë e paparalajmëruar e emisarit sllovak, vjen pas vizitës që ka zhvilluar para pak ditësh me dy top këshilltarët e Scholz dhe Macron dhe pas vizitës me emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar, shkruan Gazeta Express.

Kryeministri Albin Kurti është duke u takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, i cili po qëndron në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili tha se kjo është arsyeja se pse kryeministri doli nga seanca e Kuvendit ku aktualisht po debatohet për grevën në arsim.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend. Sot ishte vetëm seanca e parë e sesionit të ri të Kuvendit”, ka shkruar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë tha se gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë.

Në seancën e Kuvendit opozita ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj SBASHK-ut dhe fajësuan atë për mungesën e mësimit.

Syri.net- Hekuran Doli: Sulmet kibernetike në Kosovë po bëhen edhe nga serverat e AKSHI-t

Eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli në një bashkëbisedim me SYRI.net, si i përfshirë drejtpërdrejt në zbrapsjen e sulmit të hackerave në Kosovë, ka dhënë detaje në lidhje me çfarë po ndodh.

Për herë të parë, Doli ka zbuluar për SYRI.net se sulmet në Kosovë, po bëhen edhe nga infrastruktura e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit me seli në Tiranë.

Eksperti i sigurisë kibernetike, ngre dyshime në lidhje me faktin nëse AKSHI ka kontrollin e serverëve të tij, apo shërbimi që ofrojnë institucionet në Shqipëri është duke u furnizuar nga servera të tjerë, pasi AKSHI nuk e ka në zotërim të plotë infrastrukturën e tij.

Si është situata me sulmin kibernetik ne Kosovë?

Hekuran Doli: Tashmë ka kaluar më shumë se një javë që kur ka filluar sulmi kibernetik ndaj institucioneve shtetërore dhe kompanive private të Kosovës, një prej te cilave është edhe kompania që unë e drejtoj. Për fat të mirë sulmin kemi arritur ta përballojmë me sukses, pavarësisht volumit shumë të madh të tij. Megjithatë, kompanitë si Telekomi i Kosovës, kanë pësuar dëmtime nga sulmi dhe janë në proces te ri-kthimit në funksion.

A po e sulmon Kosovën i njëjti grup i Hackerave që sulmoi Shqipërinë?

Hekuran Doli: Ne nuk i kemi gjurmët e sulmit të Shqipërisë që t’i krahasojmë me gjurmët që ne zotërojmë dhe të konstatojmë drejt nëse kemi te bëjmë me të njëjtin grup të hackerave. Mirëpo, ajo çfarë dimë deri në këtë moment është se infrastruktura e Shqipërisë ka kontribuar ne masë të madhe në sulmin ndaj Kosovës. Pra një numër i konsiderueshëm i IP-ve të adresave të Shqipërisë, duke përfshire këtu edhe serverë shumë të rëndësishëm brenda infrastrukturës kritike të shtetit shqiptar, vazhdojnë edhe në këtë moment të bëjnë sulme ndaj infrastrukturës se Kosovës.

Ky fakt na orienton në disa konstatime interesante dhe alarmante njëkohësisht.

Fillimisht tregon se hackerët vazhdojnë të mbajnë prezencën e tyre, me hyrje të plotë, në infrastrukturën e AKSHI-t, dhe ketë infrastrukturë e shfrytëzojnë si proxy për të sulmuar Kosovën. Pastaj, na japin përshtypjen e një ndërlidhje në mes të këtyre dy sulmeve. Mirëpo në anën tjetër, ndryshe nga Shqipëria, ne në Kosovë ende nuk kemi vërtetuar prejardhjen e sulmit dhe gjurmët na orientojnë në drejtim tjetër, gjë që e prish ndërlidhjen në mes të dy sulmeve.

Që në fillim e kemi adresuar shqetësimin tek Departamenti për Krime Kibernetike të Policisë së Kosovës, dhe jemi të bindur se edhe ata i kanë dërguar informacionet tek institucionet në Shqipëri, mirëpo deri me tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim sepse infrastruktura e AKSHI ende vazhdon të jetë pjesë aktive e sulmit ndaj Kosovës.

A ka përfunduar sulmi ndaj Kosovës?

Hekuran Doli: Sulmi ende vazhdon, edhe pse me intensitet shumë më të ulet se në fillim. Mirëpo nuk besojmë se sulmi ka përfunduar ose se sulmi është drejt përfundimit. Sulmet e koordinuara kibernetike zhvillohen në faza, dhe tani për tani mund të jemi ne përfundim te një faze dhe në fillim të një faze të re, e cila mund të jetë edhe më e fortë sesa kjo me të cilën jemi ballafaquar deri më tani.

ZRRE: Elektrosever s’ka përmbushur asnjë kriter

Nënstacioni elektrik i Vallaçit në veri të Kosovës.

Nadie Ahmeti

Kompania serbe, Elektrosever, e licencuar për furnizimin e veriut të Kosovës me energji elektrike, nuk i ka plotësuar ende kushtet që ia përcakton udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ndonëse i kanë mbetur më pak se tri javë për një gjë të tillë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE) në Kosovë thonë për Radion Evropa e Lirë se, në bazë të informacioneve që kanë, asnjë nga kriteret e përcaktuara “nuk është përmbushur”.

Marrëveshja për Energji parasheh që qytetarët në veri të Kosovës të paguajnë për rrymën e shpenzuar nga vjeshta e këtij viti – për herë të parë pas më shumë se dy dekadash.

REL ka pyetur edhe kompaninë Elektrosever për zbatimin e kritereve të marrëveshjes, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.

Udhërrëfyesi për Marrëveshjen e Energjisë përcakton se, në rast të mosveprimit me kushtet e caktuara brenda 100 ditësh nga licencimi, Elektrosever-it mund t’i pezullohet ose tërhiqet licenca nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Megjithatë, një vendim i tillë do të duhej të diskutohej paraprakisht mes palëve, përkatësisht mes Kosovës dhe Serbisë.

ZRRE i ka miratuar licencën Elekstrosever-it më 24 qershor, apo para 82 ditësh.

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Kjo kompani është paraparë të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Licencimi i saj është paraparë me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, apo udhërrëfyesin, është arritur më 21 qershor.

Kushtet që duhen plotësuar

Vetëm tri ditë pas, bazuar në kushtet e udhërrëfyesit, ZRRE-ja ka licencuar Elektrosever-in.

Brenda dhjetë ditësh nga licencimi është dashur që Elektrosever të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike – KOSTT, në mënyrë që të operojë në tregun e Kosovës.

Pas marrëveshjes me KOSTT-in, brenda 15 ditësh, Elektrosever do të pajisej me disa kode identifikuese për kryerjen e aktiviteteve. Ndërsa, 30 ditë pas kësaj, KEDS-i dhe KOSTT-i do të fitonin qasje te nënstacioni i diskutueshëm i Vallaçit, si dhe në infrastrukturën tjetër për shpërndarje të rrymës.

Në udhërrëfyes, po ashtu, thuhet se brenda 45 ditësh, KOSTT dhe KEDS, në konsultim me Elektrosever-in, do t’i dorëzonin ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”.

Ethem Çeku

Brenda 21 ditësh, pastaj, ZRRE-ja do t’i miratonte këto plane në parim.

KOSTT konfirmoi për REL-in se pjesën e marrëveshjes me të, Elektrosever nuk e ka përmbushur.

“Elektrosever ende nuk i ka siguruar KOSTT-it të dhënat për konsumatorët e energjisë elektrike”, tha KOSTT.

E pyetur nga REL nëse ka dështuar zbatimi i udhërrëfyesit, ZRRE-ja tha se “është ende herët të paragjykojmë këtë”.

Në një email dërguar Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, më 9 shtator, me pyetjen se çfarë hapash mund të ndërmerren ndaj kompanisë Elektrosever në rast të mospërmbushjes së kushteve, REL po ashtu nuk ka marrë përgjigje.

“Trysnia” e faktorit ndërkombëtar

Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se nuk ka qenë e pritur që Elektrosever t’i plotësojë kushtet e parashtruara.

Këtë e justifikon me faktin se zbatimi i Marrëveshjes për Energjinë është zvarritur qysh në vitin 2013, kur edhe është nënshkruar.

“Vetëm trysnia e madhe e faktorit ndërkombëtar, në këtë rast e BE-së dhe SHBA-së, mund ta detyrojë [Elektrosever-in] t’i pranojë dhe kryejë obligimet sipas kontratës”, thotë Çeku për Radion Evropa e Lirë.

 

Problemi i rrymës në veri

Nevoja për një marrëveshje për energjinë ka lindur pasi qytetarët në veri të Kosovës – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që prej përfundimit të luftës, më 1999.

Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.

Nga fundi i luftës deri më 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje.

Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.

Me Marrëveshjen për Energjinë, është paraparë që kompania Elektrosever të bëjë edhe furnizimin, edhe faturimin e rrymës së shpenzuar në veri.

*Video nga arkivi i Radios Evropa e Lirë: Çka thonë qytetarët e anketuar në veri për pagesën e rrymës në këtë pjesë

Elektrosever-i nuk do të prodhonte rrymë, por do ta blinte atë – qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar – ndërsa inkasimin do ta bënte vetë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.

Prokuroria në Hagë kërkon 35 vjet burg për Salih Mustafën

Prokuroria kërkon 35 vjet burgim për ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, raporton Gazeta Express.

Prokurori Cezary Michalczuk nga Zyra e Prokuorit të Specializuar tha se kërkojnë 10 vjet burgim për akuzën e ndalimit arbitrar, 20 vjet burgim për trajtim mizor, 25 vjet burgim për torturë dhe 33 vjet burgim për vrasje.

“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burgim”, tha Michalczuk.

Paraprakisht, prokurori Jack Smith tha se “faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor”.

“Ju kërkoj që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe t’ia jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet kaq të rënda që ai i ka kryer”, tha Smith.

Në të majtë, prokurori Cezary Michalczuk; në të djathtë, prokurori Jack Smith

Prokurorët prezantuan sot fjalën e tyre përmbyllëse në këtë rast, ndërsa të mërkurën, më 14 shtator, Mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimave do ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.

Të enjten, më 15 shtator, palët do të shkëmbejnë argumente shtesë.

Sulmet kibernetike, reagon qeveria e Kosovës: Nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në qendrën shtetërore

Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me sulmet kibernetike të javës së fundit mbi sistemet qeveritare, ndërsa edhe Telekomi i Kosovës ka rënë pre sot e këtyre sulmneve.

Qeveria deklaron se ky sulm i llojit DDoS ka shkaktuar pengesa dhe mungesë të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare.

Në poastimin në faqen zyrtare në Facebook, qeveria bën me dije se me aplikimin e masave të duhura, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdimin e sulmit.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit”, thuhet në komunikatën për media.

Tani, të gjitha shërbimet qeveritare thuhet se janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre.

Gjatë këtij sulmi kibernetik po ashtu bëhet e ditur se në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës.

(BalkanWeb)

Çmimi që paguajnë nxënësit për grevën

Shkolla Fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Shtator, 2022.

Luljeta Krasniqi – Veseli

Psikologë, sociologë dhe prindër në Kosovë shprehen të shqetësuar për gjendjen psikologjike dhe sociale të fëmijëve, të cilët nuk kanë nisur ende vitin shkollor.

Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët.

Greva, përndryshe, ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës. Dhe nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.

Arlinda Bajra është nënë e dy fëmijëve, të cilët, nga 1 shtatori, do të duhej t’i ndiqnin mësimet në një shkollë fillore në Prishtinë – njëri në klasën e gjashtë dhe tjetri në të nëntën.

Ajo thotë se është e shqetësuar që fëmijët e kalojnë ditën pa aktivitete mësimore, përveç në disa kurse private që i ka angazhuar.

“Janë me orar të pushimeve verore. Vazhdojnë të rrinë deri në orët e vona të mbrëmjes, me telefon, televizor… dhe zgjohen shumë vonë nga gjumi. Sa kanë qenë në pushime, kanë lexuar ndonjë roman. Tani më thonë: nuk lexojmë se nuk jemi në shkollë”, rrëfen Bajra për Radion Evropa e Lirë.

Fëmija që do të duhej të niste klasën e gjashtë, thotë ajo, nuk e njeh ende as kujdestaren e klasës dhe nuk e di se si zhvillohet mësimi me arsimtarë, meqë, deri më tash, kishte një mësuese.

Prokshi: Greva thyen vullnetin për mësimnxënie

Dafina Prokshi, psikologe, thotë se situata si kjo dhe të ngjashme kanë ndikim negativ te nxënësit, qoftë në gjendjen e tyre psiko-sociale, qoftë në performancën akademike.

“Fëmijët, në shtator, përgatiten emocionalisht të njihen me një fazë tjetër të jetës – shumë kruciale për ta – e që është identiteti i tyre në rrethin shoqëror. Ai ndërtohet nga ndërveprimi me mësimdhënësit”, thotë Prokshi, e specializuar në fushën e psikologjisë sociale-organizative dhe këshillim-psikoterapi.

Kjo gjendje, thotë Prokshi, mund t’ua thyejë nxënësve vullnetin për mësimnxënie.

Dhe nëse grevat zgjasin, ka rrezik që ata “të pajtohen me një rutinë joarsimore”, thotë ajo.

Sipas saj, kjo do t’i prekte më shumë fëmijët e grup-moshave më të vogla, përkatësisht të nivelit parashkollor dhe të mesëm të ulët.

Në Kosovë ka pasur edhe më herët greva nga mësimdhënësit.

E fundit ka qenë në vitin 2019, kur gjysmëvjetori i dytë i mësimeve ka nisur me tri javë vonesë nga pakënaqësia e mësimdhënësve me Ligjin për paga.

Orët e humbura nuk janë kompensuar asnjëherë, përkundër kërkesës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Krasniqi: Thyerje emocionale për fëmijët

Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se fëmijët dhe shkolla krijojnë një lidhje të posaçme – fëmijët “përgatiten emocionalisht” që mësimet të fillojnë.

“Në secilën familje ndodhin përgatitjet e para, sidomos fëmijë filloristë mezi presin të nisë shkolla. Është thyerje shumë e madhe emocionale kur iu thua që shkolla nuk nis”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Te nxënësit më të rritur, shton ai, është një efekt tjetër: mungesa e orëve të mësimit rrezikon t’ua humbasë interesimin për shkollë.

“Iu krijohet një ndjenjë se bën edhe pa shkollë dhe se mësimi mund të mos fillojë më 1 shtator. Magjia e arsimit është: shkolla nuk duhet ta refuzojë nxënësin e as nxënësi nuk mund ta refuzojë shkollën. Kur njëra palë prish këtë marrëveshje, humb kjo magji dhe humb serioziteti”, thotë Krasniqi.

Deri kur në grevë?

Sindikalistët e arsimit, që organizojnë grevën, thonë se nuk do të heqin dorë, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit e arsimit, deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga.

Qeveria e Kosovës thotë se ky projektligj, që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

Thirrje të ngjashme ka bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Cilësia e arsimit

Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës.

Ekspertë të fushës së arsimit thonë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar, po ashtu, në mësimnxënie.

Gjatë dy vjetëve të parë të pandemisë, më 2020 dhe 2021, nxënësit kanë kaluar në mësim online, apo nga distanca, në disa periudha të ndryshme kohore.

Diplomatët evropianë patën “diskutim të rëndësishëm” me Kurtin

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, Prishtinë 9 shtator 2022.

Doruntina Baliu

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nuk dha detaje pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Pas takimit që Lajçaku mbajti së bashku me këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, ai tha se patën një diskutim të rëndësishëm me Kurtin.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha Lajçak.

Zyra e kryeministrit nëpërmjet një komunikate e ka komentuar takimin e Kurtit me diplomatët duke thënë se Kosova ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në “një dialog parimor dhe të përgatitur mire”.

“Kryeministri Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut, nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.

Siç është thënë më herët për Radion Evropa e Lirë, qëllimi i vizitës së diplomatëve evropianë është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Pas qëndrimit në Kosovë, Lajçak dhe dy këshilltarët evropianë do të vizitojnë Beogradin, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Vuçiq.

Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët që të ndihmojnë në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Macron dhe Scholz, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, siç thanë ata, çojnë drejt përparimit të dialogut.

Çfarë ka ndodhur së fundmi mes Kosovës dhe Serbisë?

Më 31 korrik dhe 1 gusht, tensionet u rritën në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, për targat dhe për dokumentet serbe.

Barrikadat e vendosura u hoqën pasditen e 1 gushtit, pasi Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e dy vendimeve për një muaj.

Por, pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje dhe më 1 shtator, kjo marrëveshje nisi së zbatuari.

Po më 1 shtator, në Kosovë ka nisur afati për riregjistrimin e veturave me targa serbe në ato RKS (Republika e Kosovës).

Të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me akronime të Kosovës – sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme – mund t’i riregjistrojnë ato në RKS deri më 31 tetor.

Çështja e targave tashmë është kthyer në prioritet për bllokun evropian, që do që të arrihet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, para se të skadojë afati për riregjistrim.

Serbia kërkon që qytetarët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe të përdorin targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kosova refuzon një propozim të tillë.

Në Prishtinë arrijnë Lajçak dhe këshilltarët e Scholz e Macron, nisin takimin me Kurtin

Kanë arritur në Prishtinë Përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, raporton Express.

Ata janë futur në objektin e Qeverisë së Kosovës për t’u takuar me kryemintrin e Kosovës, Albin Kurti.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar para katër ditësh se qëllimi i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”.

“Gjatë vizitës janë të planifikuara takime të ndara me kryeministrin [e Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq”, konfirmoi Stano.

Detaje rreth vizitës ka dhënë edhe zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

“Qëllimi i vizitës do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve”, ka deklaruar Hebstreit.

“Siguria në Evropë, e këtu hyn dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ka rëndësi shumë të madhe për kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin franczez Emmanuel Macron. Kjo nënkupton edhe përforcimin e angazhimit për normalizimin e plotë të marrrëdhënieve Serbi-Kosovë. Nisur nga tensionet e kohëve të fundit, që të dy kanë ngarkuar këshilltarët e jashtëm, Jens Plöttner, dhe Emmanuel Bone, që t’i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së, Miroslav Lajçak”, sqaroi Hebestreit.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftuan të shtunën se kanë angazhuar këshilltarët e tyre për të mbështetur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.

“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.

Stano tha se BE “dëshiron të bëjë sa më shumë që mundet për t’i ndihmuar të dyja palët që t’i gjejnë kompromiset e nevojshme” dhe që “të çojnë dialogun drejt fundit”.

Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.

Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.

Procesi i Berlinit me 3 nëntor, takim i mundshëm Kurti – Scholz dhe Vuçiç

Janë ende edhe disa muaj përpara, por përgatitjet kanë nisur. Madje, ka kohë edhe tetë javë, por kjo nuk do të thotë që Berlini zyrtar të mos fillojë përgatitjet për mbajtjen një takimi.

Në fakt, ky takim për Gjermaninë, mund të jetë një nga shumë të tillë, por për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën, është vetëm një si ky. Bëhet fjalë për Procesin e Berlinit.

Në një takim të tillë, kontaktet mes liderëve të këtyre vendeve janë të pashmangshme. Aq më tepër kur vetë takimi u kushtohet këtyre shteteve.

Sidoqoftë, RTKlive ka pyetur në Qeverinë e Gjermanisë mbi mbajtjen e Procesit të Berlinit.

“Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet me 3 nëntor në Berlin”, thanë në përgjigje me shkrim për RTKlive, nga Zyra për Media në Qeverinë e Gjermanisë.

“Një takim të tillë e ka deklaruar kancelari Olaf Scholz, javën e kaluar në një konferencë për media gjatë qëndrimit të tij në Pragë (Çeki)”, shpjegojnë nga Qeveria gjermane.

Ndërkohë, ditëve të fundit, ka pasur raportime nga disa media në rajon, se pritet të mbahet një takim trepalësh mes kancelarit Scholz,  kryeministrit kosovar, Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq.

Sipas këtyre raportimeve,  të bazuar në burime të paidentifikuara, një takim të tillë do të ketë, por dilema është nëse do të mbahet para takimit në kuadër të Procesit të Berlinit apo pas tij.

Në lidhje me këtë çështje, RTKLive ka kërkuar sqarime nga Qeveria e Gjermanisë, përkatësisht zyra e kancelarit Olaf Scholz.

“Nuk ka takime të tjera si ato që përmendët ju, për të cilat mund t’ju konfirmoj në këtë moment”, deklaron Qeveria e Gjermanisë për RTKlive, duke kërkuar mirëkuptim.

“Kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse ne nuk mund të parashikojmë përmbajtjen e bisedimeve”, shkruan në përgjigje, pasi RTK pyeti për temat që mund dhe pritet të diskutohen.

Ndërkohë, sot në Kosovë pritet të mbërrijë emisari special për bisedimet Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, i cili për herë të parë do të ketë në krah edhe dy këshilltarët e caktuar për këtë çështje, njëri nga kancelari gjerman, Scholz dhe tjetri nga presidenti francez, Macron.

Ata pritet të takohen me kryeministrin Albin Kurti kurse pas Kosovës, do të udhëtojnë drejt Serbisë, ku pritet të takohen me presidentin e vendit fqinj, Vuçiq.

Aktualisht, të interesuar për këtë pjesë të Ballkanit, me të emëruar specialë, janë BE-ja, SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Greqia e së fundi edhe Sllovenia.

E paparë, Guxo zgjedh dy kryetarë të partisë, një grua dhe një burrë

Partia Guxo ka zgjedhur dy kryetarë të përbashkët për ta udhëhequr partinë. Faton Peci dhe Donika Gërvalla, të dy ministra dhe njerëz të rëndësishëm në Qeverinë Kurti janë dy drejtuesit e zgjedhur.

Drejtuesit e rinj të partisë u votuan me 373 pro, me 23 kundër dhe asnjë abstenim.

Në kuvendin zgjedhor të partisë, kanë marrë pjesë rreth 400 delegatë.

Parashihet që Peci e Donika Gërvalla të kenë fuqi të barabartë vendimmarrëse.

Partia Guxo nuk kishte një udhëheqës që nga marrja e postit të presidentes nga ish-udhëheqësja Vjosa Osmani. /GazetaExpress

Ueb-faqet e institucioneve të Kosovës, cak i sulmeve kibernetike

RFE/RL

Problemet me shërbimin e internetit në institucionet e Kosovës, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, vijnë si pasojë e një sulmi kibernetik.

Ai tha në një postim në Facebook, më 6 shtator, se kjo është identifikuar nga ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm.

“Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”.

“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai, duke mos dhënë detaje se për cilin vend jashtë Kosovës bëhet fjalë.

Kryeziu tha se momentalisht gjendja është stabile, shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme.

Kosovë, imami Labinot Maliqi flet pas kërcënimit ndaj tij (video)

VOA/Edlira Bllaca

Studiuesi i fesë islame Labinot Maliqi, njëherësh imam në një nga xhamitë në Prishtinë, është kërcënuar javën që shkoi, nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook. Ai i tha Zërit të Amerikës se u kërcënua pak kohë pasi kishte ripublikuar një intervistë të tij të mëhershme në një nga televizionet lokale në Kosovë.

“Para disa dite e kam ripublikuar një video të një interviste që e kam mbajtur para një viti, ku kam folur për rëndësinë, vlerën dhe kontributin jetik që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prezencën dhe mbështetjen ndaj Republikës së Kosovës. Në këtë rast, në komentet që janë bërë në atë video, kam pasur edhe një kërcënim, i cili është mbështetur nga gjashtë persona duke e pëlqyer kërcënimin e tij ndaj meje, ku qafa ime është e duhur për t’u prerë sipas tij”, tha ai.

Policia e Kosovës në raportin e vet të përditshëm të datës 3 shtator kishte njoftuar për këtë rast. “Lidhur me ngjarjen është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e policisë.

Deri në përgatitjen e këtij materiali, policia e Kosovës nuk i është përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës për të marrë më shumë hollësi lidhur me këtë ngjarje.

Zoti Maliqi thotë se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më herët, dhe se sipas tij ato vijnë nga njerëz që nuk e njohin mirë besimin islam.

“Kemi pasur aty këtu kërcënime edhe më përpara sepse që nga viti 2016 ne kundërshtojmë çdo individ apo grupacion i cili thirret në emër të fesë dhe u bën dëm të tjerëve, i terrorizon të tjerët, e kjo natyrisht terroristi apo ekstremisti asnjëherë nuk mund të quhet mbi bazën e fesë që ai predikon për shkak se asnjë fe nuk predikon natyrisht mbi themelet e saj ekstremizëm apo kërcënim ndaj atyre të cilët nuk i përkasin besimit të caktuar”, thotë ai.

Studiuesi Maliqi, i cili njëherësh është drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Paqe, thotë se në Kosovë nuk duhet lejuar asnjë lloj ekstremizmi.

“Shteti i Kosovës duhet të jetë i vëmendshëm, sidomos organet e rendit, ato të anti terrorizmit, në çdo aspekt të bashkëpunojnë me Bashkësinë Islame, nuk dyshoj se bashkëpunojnë, për të mirën e përbashkët sepse edhe qëllimi i Bashkësisë Islame edhe qëllimi i secilit qytetar, edhe qëllimi it ë gjitha institucioneve të Kosovës është për të pasur rend dhe ligj e siguri për të gjithë pa dallim në Kosovë, prandaj ne jemi këtu për të mirën e përbashkët që t’i krijojmë siguri njëri tjetrit, për të paqur një paqe të përbashkët”.

Zoti Maliqi thotë se është në pritje të autoriteteve të rendit për të marrë më shumë informacione lidhur me rrjedhën e hetimeve për rastin e kërcënimit ndaj tij.

Mësues shkoni në shkolla dhe hapni dyert për fëmijët tanë që ju kemi besuar juve! Nga Besire Cena Tahiri

~ Çfarë krahasimi i ulët i kryesindikalistit te arsimit fillor dhe të mesëm,

“dikush me xhipa e dikush me autobus “,

tepër poshtë po e ul dinjitetin e mësuesit.

Edhe une jam profesoreshe universitare udhetoj me autobus,

është çështje zgjedhjeje, dinjiteti dhe përulësie që e karakterizon mësimdhënësin.

Profesioni i mësuesit eshte i shenjtë, nuk eshte biznes.

Të gjithë ata që i mësyjn këtij profesioni shpresoj se e dijnë.

Derisa shkollat tona nuk kanë mundur me i mbyll as pushtuesit, paramendoni fëmijët tanë sot i gjejnë çerdhet e mbyllura, shkollat e mbyllura.

Mësues reflektoni, dikur kemi bertitur si popull “ DUAM SHKOLLË “, sot të njejtën gjë kerkon populli.

Mësues shkoni në shkolla dhe hapni dyert për fëmijët tanë që ju kemi besuar juve.

Respekt për gjithë armatën e arsimit të Republikës së Kosovës.

 

 

​Bërnabiq kushtëzon nga Kosova: Pa Asociacion s’ka marrëveshje tjetër për normalizim

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq e cila po qëndron në veri të Republikës të Kosovës, ka kushtëzuar marrëveshjen Kosovë – Serbi me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se “nëse nuk ka asociacion nuk mund të bisedohet përmarrëveshjen e dytë për normalizim”. Ndërkohë që përsëriti pretendimet serbe se është Kosova ajo që duhet të angazhohet më shumë në dialog, pasi sipas saj, Serbia mbetet e përkushtuar për një gjë të tillë.

“Nuk e di sa është e mundur, unë jam optimiste nga natyra, por ajo që është sigurisht më e rëndësishmja në këtë moment apo për një kohë të gjatë, siç e kam thënë, është komuniteti i komunave serbe. Themelimi i bashkësisë së komunave serbe është baza e marrëveshjes së Brukselit, të marrëveshjes së parë për normalizim dhe derisa të mos e kemi Asociacionin e komunave serbe është e pamundur të diskutohet në marrëveshjen e dytë për normalizim” tha ajo.

Derisa foli për dialogun, Bërnabiq në takimin me përfaqësues të Listës Serbe në qendrën mediale në veri te Mitrovicës tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është shumë i guximshëm për të gjetur kompromise për serbët në Kosovë.

“(Vuçiq) Është mjaft i guximshëm dhe mjaftueshëm përgjegjës që të përpiqet të gjejë kompromise për të siguruar një lloj sigurie për serbët në Kosovë. Është një dialog i rëndësishëm ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe për këtë kemi qenë gjithmonë të gatshëm dhe kjo është pse ne jemi gjithmonë të gatshëm për atë dialog, sinqerisht dhe thellësisht shpresoj që institucionet në Prishtinë më në fund do të angazhohen sinqerisht për atë dialog dhe për të gjetur një kompromis të caktuar që do të jetë i nevojshëm ose që është i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradi dhe Prishtina, dhe kjo është ajo që duhet, jo për shkak të integrimit tonë evropian, por për shkak të vetes sonë, unë po kthehem përsëri për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, që është paqja afatgjatë dhe stabiliteti afatgjatë”, tha ajo.

Ndërsa drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq tha se prania e madhe e qytetarëve serbë në pritjen e Bërnabiq konfirmon emocionet e tyre për ardhjen e saj në veri të Kosovës.

Ai madje u shpreh me fjalët “mirëserdhe në në Kosovën tonë”.

“Në emër të popullit serb nga Kosova, ju përshëndes zyrtarisht dhe ju uroj mirëseardhje në Kosovën tonë. Populli serb po pret me entuziazëm ardhjen tuaj në Kosovë dhe mijëra njerëz që janë mbledhur këtu në veri të Kosovës konfirmojnë me çfarë emocioni populli ynë e mirëpret kryeministren tonë, e rëndësishme është se nuk po flitet vetëm këtu për vizitën e kryeministres së Republikës së Serbisë, këtu po flasim për praninë e shtetit të Serbisë në veri të Kosovës, dhe pikërisht kjo prani e fuqishme e shtetit tonë të Serbisë është diçka që popullit tonë këtu në Kosovë i duhet më shumë se sa buka dhe uji. Pra, kjo është një ditë e rëndësishme dhe e madhe për të gjithë ne, sepse falë presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres së Republikës së Serbisë, znj. Ana Brnabiq, kemi arritur të investojmë shumë mjete dhe t’i ngrisim mjediset serbe ashtu siç e meritojnë, dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë në periudhën e ardhshme”, tha ai.Express

Sveçla: Informacionet e para tregojnë se 11-vjeçarja u dhunua “më shumë se një vit”

RFE/RL

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se një e mitur 11-vjeçare, e cila është dhunuar nga pesë të dyshuar më 27 gusht në Prishtinë, është dhunuar për më shumë se një vit.

Sveçla ka thënë se autoritetet e sigurisë kanë dalë me këto informacione gjatë hetimeve që janë duke u kryer për rastin.

“Përgjatë hetimeve, kemi kuptuar se nuk bëhet fjalë për një rast, fatkeqësisht nuk bëhet fjalë as për dy raste, por bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të të miturës 11-vjeçare”.

Sveçla ka thënë se i ka bërë thirrje kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, që të gjithë hetuesit policorë të përfshirë në këtë rast, të thirren në cilësinë e dëshmitarëve, për të marrë sa më shumë informacione.

Sipas ministrit, në këtë rast është përfshirë Prokuroria, Qendra për Punë Sociale dhe Agjencia e Kosovës për Forezikë.

“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse, për të mbrojtur këtë të mitur, dhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur, por edhe për identifikim të të gjithë dhunuesve, pasi të gjithë nuk janë të arrestuar”.

Rastin e dhunimit të 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë për dy vepra të ndryshme penale.

Veç masës së paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë është caktuar edhe për gjashtë të dyshuar tjerë, të cilët siç pretendohet nga institucionet e drejtësisë, në muajin qershor kanë trafikuar, dhunuar dhe shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale.

Të hënën në Prishtinë është protestuar për të tretën herë me radhë me thirrjet kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Në protestën e 5 shtatorit, protestuesit kanë kërkuar shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këtu deri sa Prokuroria të na tregojë përfundimisht që është me viktimat e jo dhunuesin”, ka thënë një protestuese.

Dorëheqjen e Munishit më 4 shtator e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.

Deri më tani, lidhur këtë rast dhunimi kanë dhënë dorëheqje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë për dhjetëra raste të dhunës seksuale, të raportuara çdo vit.

Sipas Rrjetit të Grave të Kosovës, numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajza të moshës 13 deri në 16-vjeçare.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga 2 deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.

Vazhdon protesta për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna

Protestë për mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna. 5 shtator 2022.
RFE/RL

Me thirrjet “Shkarkoni gjyqtarët dhe prokurorët patriarkalë”, “Asnjë më”, “Gra armatosuni”, “Nuk durojmë më”, qindra qytetarë u mblodhën për herë të dytë brenda një jave në Prishtinë, për të shprehur revoltën ndaj dhunës seksuale ndaj grave dhe vajzave.

Protestuesit fillimisht më 5 shtator ndaluan para ndërtesës së Qeverisë, Policisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe, pastaj para Këshillit Prokurorial, ku kërkuan edhe shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

“Ne do të vazhdojmë të jemi këtu deri sa Prokuroria të na tregojë përfundimisht që është me viktimat e jo dhunuesin”, tha një protestuese.

Dorëheqjen e Munishit më 4 shtator e ka kërkuar ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila po ashtu ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.

Shkas i këtyre protestave u bë rasti i përdhunimit të një vajze 11-vjeçe, më 27 gusht, në një park të Prishtinës.

Rastin e 11-vjeçares, institucionet e drejtësisë po e trajtojnë rastin në dy vepra të ndryshme penale.

Veç masës së paraburgimit prej 30 ditësh për pesë të dyshuarit për dhunimin e të miturës, e njëjta masë është caktuar edhe për gjashtë të dyshuar tjerë, të cilët siç pretendohet nga institucionet e drejtësisë, në qershor kishin trafikuar, dhunuar dhe shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale.

Kërkesat e protestuesve

Protestuesit kanë disa kërkesa për Qeverinë e Kosovës. Ndër tjera ata kërkojnë legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjes së gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve që nuk e kanë kryer punë e tyre, krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës, futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla dhe sigurinë si dhe drejtësi e rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Për kërkesën për përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje, më 4 gusht, ministrja Haxhiu tha se janë caktuar dy grupe punuese në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të bërë analizën ligjore dhe atë të sigurisë.

Me MPB-në tha se janë në komunikim edhe për të përmbushur kërkesën për krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës. Ndërsa me ministrinë e Arsimit tha se janë në komunikim për të përmbushur kërkesën e protestuesve për futjen e lëndës së edukatës seksuale nëpër shkolla.

Për shkarkimin e zyrtarëve, Haxhiu tha se “disa janë shkarkuar dhe do të vijojmë edhe me të tjerë”.

E për kërkesën për sigurim, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ajo tha se ato përfshihen në shumë prej aktiviteteve të Strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje 2022-2026.

Më 31 gusht, protestë me kërkesat e njëjta ishte mbajtur në Prishtinë. Në të njëjtën ditë protesta ishin mbajtur edhe në Tiranë e Shkup.

Deri më tani, lidhur me rastin e dhunimit të të miturës në Prishtinë, dorëheqje kanë dhënë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ali Gashi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Bërnabiq në Mitrovicën e Veriut: Interes i Serbisë është paqja

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë fjalimit në Mitrovicë të Veriut. 5 shtator 2022.

Sandra Cvetkoviq

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se nga Mitrovica e Veriut, ku qëndroi për vizitë, dëshiron të përçojë mesazhe të paqes, stabilitetit dhe tolerancës.

Ajo tha se autoritetet nga Serbia, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq, do të jenë gjithmonë me komunitetin serb në Kosovë dhe shtoi se është e lumtur që ndodhet në Kosovë “në një moment kaq të vështirë”.

“Jam e lumtur që edhe pas provokimeve të fundit, të 31 korrikut, arritëm ta ruajmë paqen. Interes i Republikës së Serbisë dhe popullit serb është paqja dhe stabiliteti”, tha Bërnabiq.

Kryeministrja e Serbisë shtoi se vendi i saj do të vazhdojë të luftojë për popullin serb në Kosovë, në mënyrë që përmirësimi i kushteve të jetesës të shihet në terren.

Ajo theksoi se tani është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe tha se një gjë të tillë do ta përsërisë kudo që të shkojë – nga Mitrovica në Bruksel e Pekin.

“Në këtë do të vazhdojmë të këmbëngulim çdo ditë”, tha Bërnabiq.

Ajo tha se shpreson se autoritetet e Kosovës do të jenë të përkushtuara ndaj dialogut dhe “gjetjes së një kompromisi”, i cili, sipas saj, “do të jetë i nevojshëm për normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“Kjo është ajo që na duhet, jo për shkak të integrimit evropian, por për shkak të vetvetes, për shkak të asaj që duam me gjithë zemër, që është paqja dhe stabiliteti afatgjatë”, tha Bërnabiq.

Ajo vazhdoi vizitën në Manastirin Banjska në Zveçan, ku tha se “nuk ka bisedime të mëtejshme pa formimin e Asociacionit”, sepse, sipas saj, ai “është baza për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve”.

Përfaqësuesit e Listë Serbe duke pritur kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Mitrovicë e Veriut, 5 shtator 2022.

Përfaqësuesit e Listë Serbe duke pritur kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Mitrovicë e Veriut, 5 shtator 2022.

Bërnabiq arriti paraditen e së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku u prit nga përfaqësues të Listës Serbe – subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës – si dhe nga përfaqësues të institucioneve që punojnë në sistemin e Serbisë.

Paraprakisht u mblodhën edhe punonjës të institucioneve që financohen nga buxheti i shtetit serb. Ata mbanin në duar pankarta me fjalë përkrahëse, të tilla si: “Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”.

Kjo ishte vizita e parë e Bërnabiqit në Kosovë prej se u zgjodh kryetare e Qeverisë serbe, në vitin 2017.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut duke pritur kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. 5 shtator 2022.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut duke pritur kryeministren serbe, Ana Bërnabiq. 5 shtator 2022.

Më 2 shtator, autoritetet e Kosovës lejuan vizitën e saj, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizitat e ndërsjella të zyrtarëve politikë.

Në delegacionin e Bërnabiqit ishte edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, dhe drejtori i Zyrës për Teknologji informative dhe e-Qeverisje, Mihaillo Jovanoviq.

“Kjo është një ditë e rëndësishme dhe e madhe për të gjithë ne”, tha Petkoviq, duke komentuar vizitën e Bërnabiqit në Kosovë.

“Falë presidentit [të Serbisë] Aleksandar Vuçiq dhe kryeministres Ana Bërnabiq, kemi arritur të investojmë shumë fonde dhe t’i fuqizojmë komunitetet serbe”, shtoi ai.

"Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje", shkruan në një prej pankartave. Mitrovicë e Veriut, 5 shtator 2022.

“Derisa e kemi [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq dhe Anën tonë, ne nuk i druhemi asgjëje”, shkruan në një prej pankartave. Mitrovicë e Veriut, 5 shtator 2022.

Vizita e Bërnabiqit në veri të Kosovës u zhvillua pasi Prishtina dhe Beogradi ranë dakord për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse-dalëse, të cilat Serbia ua lëshonte qytetarëve të Kosovës qysh në vitin 2011.

Kur Qeveria e Kosovës ndërmori masa reciproke nga 1 gushti, disa serbë lokalë në veri u rebeluan dhe ngritën barrikada, për t’i penguar autoritetet në zbatimin e vendimit të tyre. Për shkak të rritjes së tensioneve, Prishtina zyrtare e shtyu zbatimin e atij vendimi për 30 ditë.

Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ndërhynë, duke biseduar me palët si në Prishtinë, ashtu edhe në Beograd.

*Video nga arkivi: Vizita e Escobarit dhe Lajçakut në Prishtinë

Dy vendet arritën marrëveshjen për heqjen e dokumenteve hyrëse-dalëse më 27 gusht.

Megjithatë, Kosova nuk hoqi dorë nga vendimi i dytë, i cili ka të bëjë me riregjistrimin e veturave me targa serbe në targa RKS – Republika e Kosovës.

Ky proces filloi më 1 shtator dhe do të zgjasë dy muaj.

Beogradi pret negociata edhe për këtë çështje, përkatësisht propozon targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por këtë gjë Prishtina e refuzon.

*Video nga arkivi: Riregjistrimi i makinave

Vlerësohet se 10.000 vetura me targa si: KM (Mitrovicë e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj) e të ngjashme, të lëshuara nga Serbia, qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Ato targa u hoqën në komunat në jug të Ibrit rreth 10 vjet më parë, në bazë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Procesi ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Nesër Kryeministrja serbe vizitë në Kosovë- Apeli i Albin Kurtit: Të mos japë deklarata përçarëse që sjellin destabilizim!

Të hënën, më 5 shtator, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç do të jetë për vizitë në Kosovë. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se ajo duhet të bëjë kujdes në deklaratat që bën.

Në një konferencë për mediat, Kurti tha se homologia serbe duhet të mos japë deklarata përçarëse si kryenegociatori serb në dialog, Petar Petkoviç.

“Pres që zonja Brnabiç të mos e vazhdojë avazin e kryenegociatorit nga Beogradi, i cili jepte deklarata përçarëse, ndarëse që kishin për qëllim tensionimin dhe destabilizimin. Kemi nevojë të përqendrohemi te jeta më e mirë e qytetarëve. Unë besoj që Qeveria e Republikës së Kosovës me mua si kryeministër për këtë më pak se një vit e gjysmë ka bërë më shumë sesa çdo qeveri paraprake edhe sa i përket punësimit të personave nga komunitetet pakicë apo jo shumicë, por këtu e kemi një vështirëse, sepse punësimi ka shkuar shpesh sipas partive politike, jo sipas përkatësisë nacionale”, tha Kurti.

Brnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç. gsh

Gazetarja ukrainase: Ukraina është më afër se kurrë njohjes së Kosovës

Gazetarja ukrainase që po qëndron në Kosovë, Daria Mescheriakova thotë se Ukraina është pranë si kurrë më parë ta njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas saj, koha më e përshtatshme për njohje do të ishte kur Kosova të merr statusin kandidat për Këshillin e Evropës.

Gazetraja ukrainase, vendi i së cilës po përballet me agresionin ushtarak rus që nga 24 shkurti, thotë se fitorja e Ukrainës do të shënojë edhe fundin e ndikimit rus.

Ajo në një intervistë për KosovaPress flet edhe për situatën e brishtë mes Kosovës dhe Serbisë, për çka thekson se nuk sheh ndonjë rrezik, pasi që Serbia nuk mund të bëjë asgjë pa Rusinë, ndërkohë që kjo e fundit është e fokusuar në luftën në Ukrainë.

Ndodhur në një situatë të re globale, Mescheriakova thotë se ka dy momentume kur vendi i saj do të mund të njihte Kosovën.

“Në të vërtetë nuk do të thotë se kjo do të thotë diçka, dhe do të çojë në diçka. Kemi një situatë shumë të vështirë me Kosovën, dhe kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, presidenti ynë i atëhershëm Viktor Yushchenko, ai kishte shumë frikë nga lëvizjet mbështetëse në Krime. Por unë mendoj se nuk ishte e vërtetë, asgjë nuk do të ndodhte me Krimenë, por ai kishte frikë se po, ndërsa presidenti Yanukovych ishte plotësisht pro-rus dhe ishte e pamundur të njihej Kosova – absolutisht jo. Pastaj shpërtheu lufta, lufta e parë, kur Rusia na pushtoi dhe ata morën Krimenë dhe pushtuan Donbass-in, kështu që nuk ishte e mundur, ndërsa me këtë luftë, me Zelensky-n nuk është gjithashtu e mundur, por mendoj se tani jemi më afër se kurrë ta njohim Kosovën vetëm sepse, së pari, ne nuk jemi në anën ruse, së dyti se do t’i bashkohemi qytetërimit, dhe e treta, mendoj se momenti më i mirë për ne që ta njohim Kosovën, është ose kur të përfundojë lufta, por do të zgjasë pak, ose kur Kosovës do t’i jepet statusi i kandidatit, atëherë mendoj se do të ndodhë para se të përfundojë lufta, dhe mendoj se atëherë do ta njohim Kosovën”, thotë ajo.

Duke folur për situatën e sigurisë, gazetarja ukrainase në Kosovë thotë se nuk sheh rrezik real nga ana e Serbisë. Kjo pasi, siç thotë ajo, presidenti Aleksandar Vuçiq po kërcënon dhe dezinformon karshi Kosovës vetëm sa për të bërë shfaqje.

“Unë nuk besoj se ushtria serbe mund të bëjë diçka kundër NATO-s, pa NATO-n po, do të ishte vërtet e frikshme të qëndroja këtu, do të largohesha, por ju e keni NATO-n për një arsye. Vuçiqit i duhet vetëm kjo shfaqje, kjo është një shfaqje, një aktor, dhe ai nuk mund të bëjë asgjë me ushtrinë e tij, veçanërisht kur Rusia është në luftë me Ukrainën dhe unë nuk mund ta mbështes atë”, thotë ajo.

Gazetaret ukrainase të strehuara përkohësisht në Kosovë në një aksion simbolik për nder të 31-vjetorit të pavarësisë së Ukrainës nga ish-Bashkimi Sovjetik, kanë deklaruar se Kosova po e lufton ashpër propagandën ruse, për çka Mescheriakova thotë se kjo luftë do të vuloset me fitoren e vendit të saj ndaj pushtuesit rus.

“Unë besoj se po, do të duhet shumë kohë, por besoj se po, sepse përfundimisht Rusia do të humbasë shumë para. Unë e di që ata do të shpenzojnë paratë e tyre të fundit për të mbështetur propagandën dhe për të përhapur dezinformata, por përfundimisht Putin do të vdesë ose do të japë dorëheqje, ose do të ndryshojë autoriteti, dhe ata nuk do të kenë aq para për të mbështetur propagandën. Pra, po, unë besoj se po, nuk do të ndodhë nesër, as për një muaj, as në një vit, por do të ndryshojë”, thotë gazetarja ukrainase.

Mescheriakova po qëndron në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”, porse tregon se kjo nuk është hera e parë e saj në vend.

“Unë kam një histori të gjatë me Kosovën, nuk është se mund të them se sapo kam lexuar për të, dhe tani e shoh me sytë e mi. Për herë të parë kam qenë këtu në vitin 2011, dhe më pas kam përgatitur doktoraturën për Kosovën për ndikimin mediatik në Ukrainë rreth luftës në Kosovë, kështu që kam udhëtuar shumë këtu. Hera ime e parë ishte në vitin 2011, kur kuptova se gjithçka që na thanë për luftën në Kosovë nuk ishte e vërtetë, dhe tregimet për këtu. Por unë kurrë nuk kam jetuar këtu, thjesht kam ardhur si një vizitë afatshkurtër për të mbledhur disa storie, për të udhëtuar pak, dhe pastaj kam për të vazhduar… Pra, dhe tani unë jetoj këtu dhe e shoh nga brenda se si është jeta. Nuk mund të them se mendimi im ka ndryshuar tani, sepse gjithmonë e kam njohur mirë Kosovën”, tregon ajo.

Haxhiu për rastin e 11-vjeçares: Do të ketë edhe shkarkime tjera

RFE/RL

Dy dorëheqje janë dhënë dhe dy shkarkime janë bërë për rastin e dyshimit të e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë. Por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka paralajmëruar edhe për shkarkime tjera të zyrtarëve “që nuk i kanë kryer detyrat e tyre”.

Për rastin e 11-vjeçares janë duke u zhvilluar hetimet në dy çështje të ndara penale, atë të dyshimit për dhunim më 27 gusht nga pesë persona dhe dyshimeve për trafikim, dhunim dhe shërbime seksuale në muajin qershor nga gjashtë persona tjerë.

Për të dy rastet janë arrestuar 11 persona dhe të gjithëve u është caktuar masa e paraburgimit prej nga 30 ditë.

Pas asaj që ka ndodhur ka pasur dy dorëheqje dhe dy shkarkime.

Por ministrja Haxhiu ka paralajmëruar edhe për veprime tjera ndaj zyrtarëve të përfshirë në rast.

“Ne brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë jemi duke identifikuar persona përgjegjës që mund të ndërlidhen me rastin, në mënyrë që të marrim veprime ndaj tyre”, tha ajo në konferencën për media më 4 shtator.

Haxhiu ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe ka thënë që duhet të merren veprime edhe ndaj “prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk po i kryejnë detyrat e tyre”.

Ajo foli edhe për kresat e organizatorëve të protestës së 31 gushtit, me të cilën qytetarët kërkuan mbrojtjen e grave dhe vajzave nga dhuna.

Kërkesat janë: Legalizimi përdorimit dhe shpërndarjes i gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimin e zyrtarëve që nuk e kanë kryer punë e tyre, krijimi i njësitit të specializuar për dhunë seksuale në Policinë e Kosovës, futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla dhe sigurim, drejtësi e rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

Për kërkesën për përdorimin e gazit irritues për vetëmbrojtje, Haxhiu tha se janë caktuar dy grupe punuese në MD dhe MBP, për të bërë analizën ligjore dhe atë të sigurisë.

Me MPB-në tha se janë në komunikim edhe për të përmbushur kërkesën për krijimin e njësitit të specializuar për dhunë seksuale në PK. Ndërsa me Ministrinë e Arsimit tha se janë në komunikim për të përmbushur kërkesën e protestuesve për futjen e lëndës së edukatës seksuale nëpër shkolla.

Për shkarkimin e zyrtarëve tha se “disa janë shkarkuar dhe do të vijojmë edhe me të tjerë”.

E për kërkesën për sigurim, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, ajo tha se ato përfshihen në shumë prej aktiviteteve të Strategjisë kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje 2022-2026.

Protestuesit thanë më 31 gusht se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre “protestat do të masivizohen dhe radikalizohen”.

Në konferencën e përbashkët, ku u fol për vettingun në drejtësi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se mbi 200 gjykatës, nga 400 në total sa janë në gjithë Kosovën, kanë shkanë shqiptuar vetëm dënime me kusht, me gjobë ose kanë lejuar parashkrimin e rasteve për rastet e dhunës seksuale.

“Në mbi 85 për qind të rasteve viktimat ishin vajza të mitura”.

“ E rreth 140 prokurorë, nga rreth 200 sa janë në total në Kosovë, kanë lejuar parashkrimin e lëndëve për këto raste”, tha ai.

Më 2 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte njoftuar edhe për dy shkarkime.

“Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës”.

Qindra qytetarë u mblodhën të mërkurën në Prishtinë, Shkup e Tiranë për të shprehur revoltën e tyre ndaj dhunës seksuale. Shkas u bë rasti i përdhunimit të një vajze 11-vjeçe, më 27 gusht, në një park të kryeqytetit.

Qeveria Kurti do të subvencionojë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike

RFE/RL

Të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike do të subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati, më 3 shtator.

Sipas ministrit Murati, kushdo që shpenzon më pak energji elektrike në muaj, krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, do të do të subvencionohet.

“Për shembull nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë orë në shtatorin e shkuar dhe sivjet 900, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 100 kilovatëve, ose 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë ai.

Kjo dhe masa të tjera, sipas kryeministrit Kurti, do të jenë ndihmë në kuadër të pakos për përballen me inflacionin, e cila është vazhdimësi e pakos për ringjalljen ekonomike.

Kurti tha se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj. Ndërsa me nga 100 euro në nëntor do të mbështeten studentët.

Sipas tij, nga shtatori pensionistët do të marrin nga 100 euro, me nga 50 euro zyrtarët publikë, ndërsa me nga 100 euro punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Ndërsa për punëtorët e sektorit privat u tha se Qeveria do të subvencionojë për tre muaj ato biznese që i rrisin pagat e punëtorëve, pra gjysmën e rritjes së pagës së tyre për tre muaj.

Në total, Kurti tha se do të ndahen 150 milionë euro për pakon për përballen me inflacion.

Ai tha po ashtu se shpejt do të procedohet në Qeveri e Kuvend, Projektligji për punë publike i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse.

Kurti: E papërgjegjshme kërkesa për rritje pagash, kur fëmijët na dalin analfabetë

“Në një Kosovë, në të cilën testet e PISA-s po na i nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, ta kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit, se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi”.

Kështu ka thënë kryeministri Kurti kur është pyetur nga gazetarët për grevistët.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 25 gusht kanë hyrë në grevë me kërkesën për ndarjen e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Sipas Kurtit, duke nxjerrë analfabetë funksionalë e duke menduar veç për paga njerëzit po përfundojnë në asistencë sociale, e që sipas tij, kjo reflektohet në zhvillim ekonomik.

“Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për të bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Është papërgjegjësi totale”, tha Kurti.

Sipas tij, nuk ka munguar dialogu social me sindikatat, por ka thënë se si kryeministër takohet vetëm me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave dhe jo me krerë të degëve sindikale.

Për muajin gusht, Qeveria e Kosovës i ka ekzekutuar pjesërisht pagat, për shkak të vonesave në përditësimin e listave të pagave.

Pagat për muajin gusht janë ekzekutuar për punonjësit e Policisë së Kosovës, ata të sistemit të drejtësisë dhe të ministrive.

Më 29 gusht, ministri Murati kishte deklaruar se punëtorët e sektorit publik që janë në grevë, nuk do të marrin pagë të plotë nga Qeveria e Kosovës.

Mosekzekutimi i pagave për punonjësit tjerë që janë në grevë, po konsiderohet joligjor dhe vendim që mund të radikalizojë formën e grevës.

Për shkak të mosekzekutimit të pagave, më 1 shtator, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Prishtinë kundër ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Kosova lejon vizitën e kryeministres së Serbisë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, pritet të vizitojë Kosovën më 5 shtator.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se “i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës” për këtë vizitë.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas njoftimit që e ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiq do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.

Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviq, drejtor i kësaj zyreje.

“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Bërnabiqit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”.rel

Dhunimi i 11-vjeçares, Albin Kurti: Nuk mjaftojnë dy dorëheqje! Ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?

Dhunimi i rëndë i një fëmije, i një vajze 11-vjeçare nga pesë djem në Kosovë e ka shkundur fort, Policinë e Kosovës, por duket se aspak prokurorinë dhe gjykatën, nga radhët e të cilave deri tani askush nuk ka marrë ndonjë përgjegjësi, as edhe morale.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, jo vetëm që nuk e ka lënë situatën të mbytet nga heshtja, por ka bërë një thirrje të fuqishme publike mesditën e së premtes duke kthyer sytë vëngër nga organet e drejtësisë.

Nga Albin Kurti

“Organet e rendit arritën t’i arrestojnë personat e dyshuar për dhunimin e vajzës 11 vjeçare. Në Policinë e Kosovës janë marrë masa e veprime. Janë shkarkuar zyrtarë të lartë: Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë dhe Drejtori për Operativë në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. E Drejtori i Përgjithshëm ka ofruar dorëheqje.

Policia e Kosovës është duke operacionalizuar Policimin në Bashkësi. Do të fillojnë shumë shpejt në lagjet e kryeqytetit, për t’u shtrirë më pas në komunat tjera të Republikës. Kontaktet e afërta të Policisë me qytetarin shtojnë parandalimin e krimeve si dhe ngrisin cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimeve.

Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale.

Por ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve?

Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç.

Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve.

Po atë ditë, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, takoi kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe u.d. Kryeprokurorin e Shtetit. U theksua si e domosdoshme llogaridhënia në sistemin prokurorial e gjyqësor.

Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin.

Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme.

Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.”

Hovenier e mirëpret zbatimin e qetë të marrëveshjes në kufi, përmend njohjen reciproke Kosovë – Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se e mirëpret fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes Kosovë – Serbi për lirinë e lëvizjes.

Hovenier shkroi në Twitter se liria e lëvizjes është thelbësore për marrëveshjen përfundimtare me njohje reciproke, raporton Gazeta Express

Ambasadori amerikan tha se presin të shohin përparim edhe në çështje të tjera në muajt e ardhshëm.

“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrje/daljeve. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën & Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, shkroi ambasadori Hovenier.


Send this to a friend