VOAL

VOAL

Digjet prona e një zyrtari policor serb në Leposaviq

Logoja e Policisë së Kosovës.

RFE/RL

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të 6 nëntorit, është djegur një objekt i një zyrtari policor serb në Leposaviq.

Sipas Policisë, rasti është duke u hetuar, ashtu sikurse rastet tjera të zjarrvënieve, që janë orientuar në javët e fundit ndaj pronave private.

Ky lajm vjen një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.

Institucionet e Kosovës kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se nga 1 shtatori deri në nëntor kanë regjistruar katër incidente të sulmeve ndaj serbëve që i janë përgjigjur kërkesës për riregjistrimin e makinave.

Deri në fund të muajit tetor besohet se rreth 20 makina me targa ilegale serbe janë pajisur me targat RKS.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien apo shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Serbët vendosin të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës

VOA

Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës njoftoi të shtunën se ka vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që e cilësuan moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë.

Vendimi i serbëve të Kosovës për t’u larguar nga institucionet pasoi mospajtimin e tyre me fillimin e zbatimit të vendimit të qeverisë qendrore për targat e makinave.

Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, qeveria dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri“, tha kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Zoti Rakiç tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës. Ai akuzoi Prishtinën për shkelje të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Vendimet do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin e komunave serbe në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë”, tha zoti Rakiç.

Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, me gjithë thirrjet e diplomatëve perëndimorë që i kërkuan qeverisë që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e një vendimi për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës nuk pajtohen me vendimin e qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat e lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës, RKS.

Ndaj vendimit të serbëve të Kosovës reagoi shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela, i cili në rrjete sociale shkroi se “me detyrimin e serbëve të Kosovës që të largohen nga institucionet e Kosovës, Serbia shkeli në mënyrë të njëanshme të gjitha marrëveshjet e Brukselit për shpërbërjen e strukturave të saj ilegale në Kosovë”.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç tha të shtunën pas mbledhjes së qeverisë së Serbisë lidhur me situatën në Kosovë, se “Serbia nuk heq dorë nga politika e përgjegjshme e paqes dhe qëndrueshmërisë”.

Zoti Vuçiç gjatë ditës zhvilloi takime edhe me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë për siç u tha, njoftimin e tyre për gjendjen e sigurisë në Kosovë.

Pot sot Presidenti serb zhvilloi një bisedë telefonike me ambasadorin amerikan në Serbi, Christofer Hill, ku në një komunikatë të presidencës serbe citohet të ketë thënë se “Serbia është e përkushtuar që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara, por se serbët nga veriu i Kosovës janë të tmerruar nga shkarkimi i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë për Rajonin e Veriut, Nenad Gjuriq dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me targat”.

Ndërsa ambasadori amerikan Christofer Hill citohet të ketë kërkuar nga Serbia që të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet dhe të mos marrë pjesë në asnjë mënyrë në rrezikimin e paqes dhe qëndrueshmërisë rajonala.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak shkruante sot në Twitter pas takimit të mbrëmshëm me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç se “mbështet sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe qëndrueshëmrinë”, duke bërë thirrje që të shmanget dhuna.

Pezullohet drejtori i policisë në veri, reagon Serbia

RFE/RL

Ushtruesi Drejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, ka suspenduar nga detyra drejtorin rajonal të policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave. Por, nga Serbia kanë dënuar këtë vendim të institucioneve në Kosovë.

Sipas njoftimit, suspendimi i Gjuriqit u bë për shkak të “mosrealizimit të autorizimeve ligjore dhe zbatimit të vendimeve zyrtare”.

Suspendimin e Gjuriqit e rekomandoi më herët gjatë 3 nëntori Inspektorati Policor i Kosovës, i cili tha se Gjuriq dyshohet për veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrje për rezistencë”.

Petkoviq: Gjuriq u suspendua për shkak të mbrojtjes së popullit serb

Drejtori i Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media se Gjuriq u suspendua për shkak se “ai qëndroi në mbrojtje të popullit serb”.

“Ata nuk duan të marrin pjesë në persekutimin e popullit serb, sepse nuk është ky qëllimi i Marrëveshjes së Brukselit. Ku është gabimi kur Gjuriqi tha se nuk do të marrë pjesë në vendimet e [kryeministri i Kosovës,] Albin Kurtit, të cilat janë politike”, tha ai.

Petkoviq shtoi se për çështjen e suspendimit të drejtorit të policisë në veri ka biseduar edhe me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, të cilit, siç tha, i ka treguar se Kurti “nuk ka të drejtë të zëvendësojë” drejtorin e policisë për rajonin e veriut.

Çfarë tha Gjuriq?

Më 2 nëntor, Gjuriq tha se policët në veri nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.

“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, tha Gjuriq dhe shtoi se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.

Këtë vendim Gjuriq e kumtoi pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok).

Gjuriq tha se me këtë vendim paraprakisht është informuar edhe drejtoria e përgjithshme në Prishtinë si dhe të gjithë akterët ndërkombëtarë.

Nenad Gjuriq në qershor të vitit 2013 ishte emëruar komandant rajonal i policisë në veri.

Emërimi i tij erdhi pasi Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e raporteve, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në pikën 9 të marrëveshjes thuhej se komandanti rajonal në katër komunat me shumicë serbe emërohet nga Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës.

Ndryshe, që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë makina me targa ilegale (KM), do të marrin fleta qortuese.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të makinave në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë makina me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i makinave që nuk kanë targa RKS.

Në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) vlerësohet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe.

Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri, që kanë pasur në cak kryesisht serbët që kanë riregjistruar makinat e tyre në RKS.

Vendimi për riregjistrimin e makinave fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj për shkak se serbët lokalë ngritën barrikada në shenjë pakënaqësie ndaj këtij vendimi.

Pak para se të skadonte afati për riregjistrim më 31 tetor, Qeveria e Kosovës njoftoi për planin e saj me tri faza për targat.

Presidentja Osmani i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka lëshuar një komunikatë për shtyp ku ka njoftuar opinionin publik se Vjosa Osmani mbrëmë i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses”, thuhet në këtë komunikatë.

“Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca.

“Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike.

“Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë”.

Skandali në azilin e Pejës, e moshuara e dhunuar brutalisht është nëna e dëshmorit të UÇK-së

E moshuara e cila u dhunua brutalisht nga një infermiere e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë dhe u filmua rezulton se është nëna e një prej dëshmorëve të UÇK-së, Taulant Nura.

Njoftimi është bërë nga ish-ushtari i UÇK-së Adnan Hyseni dhe reperi i famshëm kosovar Gold AG të cilët e kanë konfirmuar faktin përmes rrjeteve sociale, ku gjithashtu shprehen tejet të indinjuar me ngjarjen e rëndë.

“Taulant Nuraj a na e bën hallall që ta kemi shkelë gjakun e nanën po ta rrahim veç që ka mbet pa ty”, ka shkruar në Instagram reperi, që njihet gjerësisht për vlerësimin e tij për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në videon e shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale shihet punonjësja e azilit Aurona Pelaj duke goditur me shuplaka dhe shkelma të moshuarën e cila pavarësisht tentativave nuk është e aftë të mrbojë veten.

Sakaq, autoritetet kosovare kanë reaguar duke arrestuar menjëherë dhunuesen dhe përgjegjësen e azilit në Pejë.bw

Ambasadori amerikan kërkon shtyrjen e afatin për targat – dënon incidentet në veriun e Kosovës

VOA/Edlira Bllaca

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, përsëriti të mërkurën kërkesën e Shteteve të Bashkuara që qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e zbatimit të vendimit për konvertimin e targave të makinave, ndërsa dënoi dëmtimin e pronave të qytetarëve serbë në veri që kanë konvertuar targat e tyre.

Të mërkurën policia e Kosovës tha se gjatë natës në komunën e Zubin Potokut në veri është djegur makina e një pjesëtari të komunitetit serb i cili kishte bërë zëvendësimin e targave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Nuk pati të arrestuar por policia tha se mbetet e përkushtuar për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënies dhe dëmtimit të pronës private të atyre qytetarëve serbë që i kanë konvertuar targat e makinave.

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara dënojnë çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të makinave RKS sipas ligjit të Kosovës. “Këto janë vepra qyqare dhe kriminale”, shkroi ai në rrjetet sociale duke nënvziuar se Shtetet e Bashkuara ritheksojnë kërkesën për zgjatje të plotë të periudhës së zbatimit të këtij vendimi ashtu që tabelat RKS të mund të vendosen përgjatë 12 muajve, derisa nënvizoi se Kosova “ka të drejtë ta zbatojë këtë ndryshim”.

Të martën autoritetet filluan zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë për të paralajmëruar qytetarët serbë në veriun e Kosovës për afatet e përcaktuara për ndërrimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Paralajmërimet filluan pavarësisht thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian që Kosova të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave, një çështje që në të kaluarën ka nxitur tensione të larta me Serbinë, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës.

Autoritetet serbe thanë të martën se kanë ngritur avionët ushtarak pasi, siç u tha, dronë vëzhgues u panë në afërsi të kufirit të Serbisë me Kosovën, ndërsa autoritetet në Prishtinë i cilësuan pretendime të pavërteta që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha sot se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë” dhe kanë vëzhguar trupat e ushtrisë serbe.

Nuk pati ende ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë në Kosovë, ndërsa ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, në një postim në rrjetet sociale hodhi poshtë pretendimet e autoriteteve serbe duke theksuar se ato synojnë krijimin e një “preteksti për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, siç tha ai, “si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur tensionet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Udhëheqësit e vendeve të rajonit pritet që të enjten të nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të dokumenteve të identifikimit diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, në kuadër të takimit të procesit të Berlinit, në një përpjekje të perëndimit për të nxitur proceset integruese të rajonit që ende bart tensionet e së kaluarës dhe për shkak të frikës nga ndikimi rus dhe kinez në rajon.

Ambasadori Rohde: Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë të shpjegojnë realitetin

RFE/RL

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se do të donte të shihte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që “të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në depërshkallëzimin” e situatës në Kosovë.

“Për shembull, duke u shpjeguar qytetarëve serb të Kosovës realitetin se në Kosovë duhet të përdorni targa të Kosovës”, ka shkruar Rohde në Twitter, më 1 nëntor.

Ai i ka bërë këto komente, në ditën kur Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit që përmban tri faza, për riregjistrimin e makinave me targa që i lëshon Serbia dhe konvertimin e tyre në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Ndërkaq, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka paralajmëruar rezistencë të ashpër qysh në momentin kur do të shqiptohet gjoba e parë lidhur me targat.

Poashtu, ajo ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri dhe vendkalimet kufitare me Serbinë, në rast se autoritetet e Kosovës konfiskojnë automjetet me targa të lëshuara nga Serbia.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 1 nëntor, ka thënë se deklaratat e Listës Serbe “tregojnë se qytetarët nuk po mund të marrin vendime” lidhur me riregjistrimin e makinave të tyre që kanë targa jolegale dhe konvertimin e tyre në targa RKS, “por dikush tjetër po merr vendime për ta dhe po i detyron ata që ende të mbeten në sferën ilegale”.

“Fakti që duhet të ketë këso kërcënimesh, tregon se qytetarët janë të interesuar të integrohen, janë të interesuar që t’i përdorin apo shfrytëzojnë incentivat (lehtësimet) tatimore dhe doganore që i ka ofruar Qeveria e Kosovës, por një forcë më e madhe po i saboton dhe po i pengon ata në këtë drejtim”, tha Bislimi.

Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Por, autoritetet e Kosovës thonë se pagesa e tarifave nuk do të vlejë për ata qytetarë që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS. Ata gjithashtu do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS deri më 30 mars.

Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa lehtësira.

Publikohet një listë: Këta janë serbët që dyshohet se kanë kryer krime në Kosovë

Në nëntor 1999, në fshatin Kishnicë, afër Prishtinës, në shtëpinë e Sabit Krasniqit, u gjet një listë me 20 emra të paramilitarëve serbë.

Ata kishin vendosur shtabin operativ paramilitarë dhe nga shumë burime dëshmohet se nga kjo bazë shkonin e bënin krime ndaj popullatës civile shqiptare nëpër shumë pjesë të Kosovës.

Bazuar në listën me emra e mbiemra dhe në adresat e tyre, rezulton se këta paramilitarë janë nga Kosova me përjashtim të njërit që ishte nga Kurshumlija.

Një pjesë prej tyre, krime kanë kryer edhe në fshatin Kishnicë. Për këto krime kanë dëshmuar Musa Gashi dhe Bajram Gashi, që kanë shpëtuar nga kjo masakër.

Në listën e gjetur janë këta emra:
Berisha Ruzhdi – Bekim, rom
Iliq Stalin – Velko
Paniq Pavli – Sinisha, Prelloc i Prishtinës
Cvejiq Lubisha – Lan, Hallaq i Madh – Lipjan

Vukadinoviq Jovan – Njegosh, Kurshumli
Andriq Mirko – Drashko, Prishtinë
Dikiq Branko – Nebojsha, prilluzhë
Krastiq Rade – Svetisllav, Skullan i Lipjanit

Selishnik Jelica – Tomisllav, Kishnicë

Sinisha Jovanoviq, Kishnicë
Jovan Karaxhiq, Kishnicë
Goran Trajkoviq, Kishnicë

Boban Trajkoviq, Kishnicë
Dejan Trajkoviq, Kishnicë
Predrag Gjorgjeviq, Kishnicë

Petar Saveliq, Kishnicë
Mile Bulajiq, KIshnicë
Gjorgje Bulajiq, KIshnicë

Zhivorad Mitiq – Zhiko, Kishnicë
Dragan Mitiq – Burdo, KIshnicë
Dragan Miliq, Kishnicë
Zoran Trajkoviq, Kishnicë
Mike Iliq, Graçanicë
Dushan Iliq, Graçanicë

Express

Sveçla: Sot fillon shqiptimi i masës së qortimit për targat ilegale

RFE/RL

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës, nga dita e martë, do të nisë së zbatuari planin e Qeverisë së Kosovës për makinat me targa serbe që qarkullojnë brenda shtetit.

Ky plan – në tri faza – nis së zbatuari më 1 nëntor deri më 21 prill të vitit 2023.

Sipas Sveçlës, më 1 nëntor fillon shqiptimi i masës së qortimit për pronarët e makinave me targa serbe “ me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, referencë për Republikën e Kosovës.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Targat që lëshojnë autoritetet serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Çfarë parasheh plani i Qeverisë?

Plani i Qeverisë së Kosovës është bërë i ditur më 28 tetor, ndonëse paraprakisht ka ekzistuar një vendim që ka pasur 31 tetorin si afatin e fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS.

Pas qortimit, faza e dytë e planit për targa parasheh gjobë prej 150 eurosh për pronarët e makinave me targa të tilla, duke nisur nga 21 nëntori deri më 21 janar.

Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.

Ministria e Punëve të Brendshme i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 mars.

Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa ofruar lehtësira.

Çfarë do të thotë kjo?

Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet për 2.558 euro.

 

Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.

Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.

Pra, 2,615 euro më pak për një makinë të tillë.

Zhgënjimi i SHBA-së dhe BE-së

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin.

Më 31 tetor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka thënë se SHBA-ja ka kërkuar nga Kosova një shtyrje të plotë të afatit për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia, e jo “shtyrje të pjesshme”.

Ai ka thënë se këtë kërkesë ua kanë bërë të qartë autoriteteve në Kosovë, edhe publikisht, edhe privatisht.

“Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë SHBA-në kërkon një shtyrje të plotë në zbatimin e këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës për një shtyrje të plotë në zbatimin [e vendimit të targave]. Sërish, këto diskutime po vazhdojnë, diskutimet me palët në rajon, diskutimet me Bashkimin Evropian”, ka thënë mes tjerash Price.

Shikojeni si e kanë komentuar qytetarët në Prishtinë vendimin për targat

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave, ka qenë ”joligjor dhe i dhunshëm”, dhe se qëllimi i tij kryesor është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.

Komentet e serbëve të veri të Kosovës për targat

Tensionet rreth targave

Fillimisht vendimi për targat është paraparë që të niste zbatimin më 1 gusht.

Mirëpo më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës patën vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimit për targat dhe atij për dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë më pas për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

MPB: Pas 21 nëntorit, gjobë 150 euro për targat serbe

RFE/RL

Nga data 1 nëntor, të gjithë pronarëve të makinave me targa serbe në Kosovë, do t’iu shqiptohet masë qortimi me kërkesë për t’u drejtuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Sipas saj, nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende makina me targat serbe në Kosovë, do të gjobiten me 150 euro.

REL-i është interesuar për masat që do të marrin autoritetet e Kosovës për këto makina, pas vendimit të 28 tetorit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për targat në tri faza.

Fillimisht Qeveria e ka pasur 31 tetorin si afat të fundit për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS- Republika e Kosovës.

Sipas planit të ri, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të ketë masë qortuese për pronarët e makinave me targa serbe dhe nga 21 nëntori deri më 21 janar do të ketë gjobë.

Sipas vendimit qeveritar, më vonë do të përdoren targat provuese, dhe pas 21 prillit, në Kosovë nuk do të mund të qarkullojnë makinat me këto targa.

Fetoshi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë pronarët e makinave me targa serbe, do të mund të përfitojnë nga lehtësirat e riregjistrimit të makinës me targa RKS – Republika e Kosovës – deri më 30 mars.

Pas kësaj date, riregjistrimi është i mundshëm deri më 21 prill, por pa ofruar lehtësira.

Çfarë do të thotë kjo?

Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.

Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë rritet për 2.558 euro.

 

Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.

Përveç kësaj, ata do të lirohen edhe nga tarifa për targën, tarifa për pajisje me certifikatë të regjistrimit të mjetit dhe taksa administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve. Të gjitha këto shërbime kapin vlerën e rreth 57 eurove.

Pra, 2,615 euro më pak për një makinë të tillë.

Zhgënjimi i SHBA-së dhe BE-së

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovs nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave, ka qenë ”joligjor dhe i dhunshëm”, dhe se qëllimi i tij kryesor është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.

Tensionet rreth targave

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës patën vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Britanikët deklarohen për Asociacionin dhe planin franko-gjerman

I dërguari special i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka thënë se krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të merret si kërcënim nga ana e Kosovës.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes palëve, përfshirë atë për Asociacionin, i cili, shtoi ai, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe do të dukej ashtu siç merren vesh palët.

Theksoi se “realiteti i ri i shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë përparimin në dialog me urgjent”.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje [Asociacioni] nuk duhet parë si koncesion, as si kërcënim për Kosovën. Përkundrazi, kjo do të tregonte se Kosova është pjesëmarrëse konstruktive në dialog se, duke u bazuar në të dhënat e saj si qytetare e mirë globale, ajo është duke përmbushur angazhimet e saj ndërkombëtare, duke përfshirë edhe në kontekstin e të drejtave të pakicave”, ka thënë ai në një intervistë për KOHËN.

Sipas Peachit, asociacioni nuk ka të bëjë me një “Republika Srpska” të ngjashme me atë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Se si duket Asociacioni varet nga palët në dialog. Është gjithashtu e rëndësishme që palët të ndryshojnë narrativën dhe të hedhin poshtë disa nga mitet e “Republica Srpska” që e kanë bërë idenë e një Asociacioni një çështje kaq toksike. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës shkoi deri diku për të thënë atë se nuk ishte e mundur sipas legjislacionit ekzistues; megjithatë, tregoi gjithashtu se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në tërësi nuk ishte kundër Kushtetutës së Kosovës”.

I pyetur nëse Kosovës do t’i duhet të bëjë kompromise kurdo që në rend dite vjen çështja e njohjes së ndërsjellë, Peach ka deklaruar se nuk ka përfundim ku rezultati për të dyja palët të jetë i njëjtë, zero, por se të dyja palët do të përfitojnë nga marrëveshja.

“Negociatat kanë të bëjnë me kompromisin, dhe atë që të japin e të marrin. Ashtu siç nuk mund të zgjedhim fqinjët tanë, nuk mund të zgjedhim me kë do të negociojmë dhe është e rrallë që ne po negociojmë me njerëz që e shohin botën në të njëjtën mënyrë si ne. Në fund të fundit, negociatat duhet të çojnë në një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Nuk do të ketë humbës”.

Ndërkohë që emisari britanik ka thënë se dialogu duhet të gjejë zgjidhje sa më parë, ka përmendur propozimin franko-gjerman për këtë proces.

“Për momentin po diskutohet shumë për një propozim të ri për dialog. Mendoj se çdo iniciativë që mund të ndihmojë për t’i dhënë një vrull të ri procesit ia vlen të merret në konsideratë”.

Duke folur për barrikadat e ngritura në veri të Kosovës në korrik, Peach u shpreh i shqetësuar ndërsa theksoi se “potenciali për dhunë në atë kohë ishte veçanërisht i lartë”.

Peach është shprehur bindshëm se Britania kundërshton çfarëdo lloj shkëmbimi territoresh apo përpjekje për ta ndarë këtë pjesë të Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar e kundërshton qartë tërheqjen e kufijve përgjatë vijave etnike, qofshin këto shkëmbime tokash apo ndarje: ne nuk e mbështesim atë, ne do ta kundërshtonim. Çdo bisedë për ndryshime kufijsh thjesht po sjell një diskutim të padëshiruar në të ardhmen”.

Sipas Peachit, opsioni për marrëveshje ku hynte edhe ndryshimi i kufijve, nuk është në tavolinën e negociatave më.

“Mbretëria e Bashkuar ka qenë e qartë se ne jemi kundër çdo marrëveshje që përfshin ndryshime kufijsh përgjatë vijave etnike. Për sa më përket mua, kjo është jashtë tavolinës”.

Ai nuk sheh potencial destabilizimi në Kosovë nëse marrëveshja nuk arrihet shpejtë. Por, kjo i konvenon Rusisë, ka theksuar Peach.

“Synimi i Rusisë është të mbajë Ballkanin Perëndimor si një zonë paqëndrueshmërie në distancë nga BE dhe NATO. Për ta bërë këtë, nuk ka nevojë të destabilizojë Kosovën, por vetëm duhet të sigurojë që integrimi ndërkombëtar i Kosovës të ngecë”.

Deputeti i LVV Haki Abazi kërkon të shtyhet afati për targat

Një makinë me targa të lëshuara nga Serbia, shihet e parkuar në Mitrovicë të Veriut.

RFE/RL

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, tha se vendimi për riregjistrimin e makinave në parim është i drejtë, por kërkoi që afati për këtë proces të shtyhet për dy muaj.

Në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, Abazi, që është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha më 28 tetor se një shtyrje e afatit do të ishte në “favor të interesit kombëtar” të Kosovës.

“Më shumë sesa targat e serbëve na duhet lëvizja e lirë dhe rikthimi i lëvizjes së qytetarëve tanë drejt Sarajevës. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse për më shumë se dy dekada qytetarëve tanë iu është ndaluar të udhëtojnë drejt Bosnjës dhe Hercegovinës. Rrjedhimisht, propozoj që data për targa të bëhet 31 dhjetori. Në këtë formë ia pamundësojmë kujtdo që ta sabotojë procesin e Berlinit dhe mundësinë që të ngrenë tensione në veriun e rëndësishme të Kosovës”, tha Abazi.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.

Më 27 tetor, zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – dhe Serbia, paralajmëruar vendosjen e bllokadave në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit konfiskon targat dhe makinat e tyre.

Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të lejojë qarkullimin e këtyre makinave brenda territorit të shtetit dhe as ta kalojnë kufirin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj procesin e riregjistrimit, por Qeveria e Kosovës, sipas SHBA-së, ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Më 25 tetor, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati është shtyrë një herë, pasi vendimi për riregjistrim ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar këtë vendim si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje dhe ekzekutivi shtyu për një muaj zbatimin e vendimeve. Pak më vonë, çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia e kanë zgjidhur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Serwer: Edhe 10 minuta shtyrje janë shumë për targat, por Kurti të jetë i përgatitur për pasojat

10 muaj zgjatje të afatit për riregjistrimin e targave i kërkuan Qeverisë së Kosovës zyrtarët amerikanë. Por një bashkëkombësi të tyre edhe 10 minuta po i duken të gjata që vendimi për heqjen e targave ilegale në Kosovë të zbatohet. Profesori i John Hopkins, Daniel Serwer, ka arsyetuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimin e tij karshi këtij vendimi. Megjithatë, ai në një bisedë me Gazetën Express tha se kjo bëhet vetëm kur s’krijohen probleme më të mëdha.

Alma Baxhaku

“Kurti po ushtron sovranitetin e Kosovës. Shpresoj se ai është i përgatitur të përballet me pasojat. Unë sigurisht e kuptoj padurimin e tij – madje kam sugjeruar që edhe 10 minuta janë shumë të gjata. Por të kesh të drejtë funksionon vetëm nëse vendimi që merr nuk krijon probleme më të mëdha”, ka thënë Serwer.

Vizitat e shpeshta të zyrtarëve nga vendet aleate të Kosovës, Serwer po i sheh si përpjekje për avancimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa thotë se ende nuk dihet saktë rezultati i tyre.

“Miqtë e Kosovës po përpiqen të inkurajojnë progresin në dialog. Kjo është puna e tyre dhe u urojë suksese. Megjithatë, nuk dihet qartë se ata janë duke prodhuar ato lloje të reagimeve në Beograd që do t’i mundësonin Prishtinës të lëvizë. Të dyja kryeqytetet më duken jo të gatshme për kompromis”.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit thotë se s’mund të paragjykojë vitin se kur mund të ndodhë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë edhe pas deklaratës së emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili në njëfarë mënyre caktoi 2024-ën si afat kur dy shtetet fqinje mund të arrijnë marrëveshje.

“Kurdo që Prishtina dhe Beogradi vendosin se është në interesin e tyre. Ata nuk janë ende aty [afër marrëveshjes]. S’e kam idenë nëse mund të arrihet deri në vitin 2024”.

Qëndrim stoik i Kosovës është që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet ta ketë edhe njohjen reciproke. Por, Serëer thotë se ka shumë marrëveshje që s’e kanë njohjen në qendër e që janë në dobi të Kosovës.

“Mund të paramendoj shumë marrëveshje pa njohje që do të ishin të dobishme për Kosovën. Edhe me njohje do të ketë nevojë për shumë marrëveshje të tjera. Nuk shoh asnjë arsye për të pritur njohjen për të bërë gjëra që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja vendet. Kjo ishte filozofia e fazës “teknike” të dialogut. Ndërsa shumë nga ato marrëveshje nuk janë zbatuar plotësisht, disa rezultuan në përfitime reale”.

Profesori amerikan ka thënë edhe një ide se si mund të zbatoheshin marrëveshjet që arrijnë Kosova dhe Serbia – meqë shumë të tilla nuk gjejnë praktikë në asnjërin shtet.

“Pse SHBA-ja dhe BE-ja nuk themelojnë një komision për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut (si Zyra Civile Ndërkombëtare që mbikëqyri zbatimin e planit të Ahtisaarit pas pavarësisë). Me ndihmën e OJQ-ve të njohura në Kosovë dhe Serbi, si dhe nga dy qeveritë, një komision i tillë mund të bëjë progres të përnjëmend në zbatimin e marrëveshjeve dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

Deklarimet e forta të zyrtarëve amerikanë dhe të vendeve të BE-së që Kosova dhe Serbia duhet që më në fund t’i japin fund sagës së bisedimeve me një marrëveshje gjithëpërfshirëse futi në diskursin kosovar edhe mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Kurti, e cila qysh në zgjedhje të saj u lavdërua për stabilitet.

Serwer thotë se në një sistem parlamentar është gjithmonë e mundur që qeveria të bie, por thotë se duhet marrë parasysh edhe rënia e fundit e Qeverisë Kurti, e cila erdhi sërish në pushtet me më shumë fuqi.

“Në këtë rast, kjo do të kërkonte një shkëputje të koalicionit qeverisës, qoftë brenda Vetëvendosjes, qoftë me partnerët e tjerë të koalicionit. Ju e dini më mirë se unë nëse ai mund të prishet. Ata që do të donin të projektonin rënien e qeverisë duhet të kujtojnë megjithatë se herën e fundit kur e bënë këtë, Albini u kthye edhe më i fuqishëm në parlament”.

Kosovë, zyrtarët serbë paralajmërojnë bllokim të rrugëve për shkak të targave të makinave

VOA/Leonat Shehu

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të enjten se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për konvertimin e targave të makinave në veriun e Kosovës kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha ndërkaq se është Serbia ajo e cila po kërcënon me dhunë ndaj një veprimi ligjor të autoriteteve të vendit.

Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Republikës së Kosovës.

Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokimin e rrugëve nëse siç thanë, autoritetet ndërmarrin veprime për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Ky paralajmërim u bë nga udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiç, ministër në qeverinë e Kosovës pas një takimi në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.

Presidenti serb i cili mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje tha se paralajmërimet e Prishtinës për zbatimin e vendimit për ndryshimin e targave kërcënojnë qëndrueshmërinë, paqen dhe mbijetesën e popullit serb në Kosovë.

Ai tha se ka marrë një njoftim të bashkërenduar nga përfaqësuesit e “Quintit” dhe Bashkimit Evropian, në të cilin theksohet se Serbia duhet të kuptojë se veprimi i Kosovës është legjitim dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura në bisedimet në Bruksel, por se problemi është në kohë dhe metoda. Ai kritikoi ashpër diplomatët perëndimor dhe e cilësoi të rremë interpretimin e marrëveshjes për targat që është arritur në vitin 2011.

Sipas asaj marrëveshjeje parashihej përdorimi i targave me mbishkrimin RKS (Republika e Kosovës) ose KS si targa me status neutral si një masë e përkohshme për një periudhë pesëvjeçare. Në vitin 2016 palët u pajtuan që të vazhdonin vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, përkatësisht deri në vitin 2021.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se bashkë me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha të enjten gjatë një vizite në Kosovë se për çështjen e targave të makinave duhet të ndiqen rregullat dhe ligjet ndërsa bëri thirrje për një tranzicion të qetë dhe gjithëpërfshirës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha sot se çështja e targave është mbi të gjitha çështje e zbatimit të ligjit, e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta evropiane dhe ndërkombëtare.

“E tëra që ne po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët tanë pa dallim dhe si rezultat i kësaj Serbia po kërcënon me dhunë e barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e të drejtës së lirisë së lëvizjes. Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e (Vladimir) Putinit që të kenë rezultate në tensionimin e stabilitetit të rajonit tone”, tha ajo.

Ministria e Punëve të Brendshme tha se gjatë 24 orëve të fundit në veriun e Kosovës janë regjistruar tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë që kanë konvertuar targat e makinave.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Në qendër të vëmendjes është një plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi.

Presidenti serb tha sot se brenda 24 orësh do të përgjigjet rreth këtij plani, duke shprehur gatishmërinë për të biseduar rreth tij, ndërsa nënvizoi se “ka gjëra që nuk mund të pranohen”.

Një ditë më parë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i tha Zërit të Amerikës se hollësitë e propozimit “po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së” dhe se “shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit”.

Djegia e veturave në veri- Reagon Von Der Leyen, Osmani: Jemi në luftë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, reagoi ashpër ndaj djegies së veturave në veriun e vendit. Sipas raportimeve paraprake, po digjen veturat e qytetarëve që po i konvertojnë targat në RKS.

Osmani tha se Kosova është në luftë kundër bandave, duke aluduar strukturat ilegale në veri.

“Pakica që nuk i ka konvertuar targat, është për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Lufta jonë është kundër bandave. Në luftën tonë për sundim të ligjit, presim të kemi përkrahje të aleatëve tanë”, tha Osmani. Ajo tha vendimi për targat nuk është kundër qytetarëve serbë.

“Sa i përket targave, tema që duhet të diskutohet sot është pak më ndryshe. Qytetarëve serbë që po e zbatojnë ligjin, po i konvertojnë targat në RKS, po iu djegen shtëpitë, makinat. Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale e kriminale të personave që janë në listën e zezë të Amerikës, janë temë e sundimit të ligjit. Kosova është konfirmuar si shtet me më së shumti reforma në Evropë, dhe reformuesi i dytë në botë. Kjo tregon që veprimet tona kanë qenë të drejta. Asesi kundër qytetarëve serbë. Por vetë fakti që 90% të serbëve i përdorin targat legale, është dëshmi që ky vendim nuk është kundër qytetarëve serbë”, theksoi presidentja e vendit.

Kurse presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen tha se rregullat duhet të respektohen, pa dashur të përgjigjet konkretisht.

“Unë mendoj që është shumë e domosdoshme që rregullat të respektohen. Rregullat janë të qarta. Në të njëjtën kohë, nëse ka periudhë tranzicioni, duhet të jetë përfshirës, duhet të shkojë siç duhet. Unë e di që po punohet për të gjetur zgjidhje, dhe uroj për përpjekjet që po bëni në kuadër të dialogut”, tha Von der Leyuen.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të shmangin tensionet. Po ashtu, Kosovës i është kërkuar që të shtyjë afatin për riregjistrim për 10 muaj. syri.net

Digjet vetura në Leposaviq pas konvertimit të targave

RFE/RL

Një veturë në Leposaviq të Kosovës, që sapo kishte konvertuar targat në RKS (Republika e Kosovës) është djegur, thanë nga Policia e Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk dihet se kush ia vuri flakën veturës.

“Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes për detyrat e tyre, por sidoqoftë mbetet të punohet në drejtim të hetimit të mëtutjeshëm për aktorët e mundshëm të këtij akti kriminal”, tha Hoti.

Djegia e veturës në fshatin Krajkovë të Leposaviqit të banuar me shumicë serbe, sipas raportit 24-orësh të policisë, ka ndodhur në orën 04:00 të mëngjesit.

Ky incident ndodhi disa ditë para se të përmbyllet procesi i riregjistrimit të makinave nga targat e lëshuara nga Serbia, në targat RKS.

Edhe në të kaluarën, autoritetet në Kosovë kanë raportuar për djegie të veturave të personave që i kanë konvertuar targat në RKS.

“Nuk kemi ndonjë informacion në këtë fazë, sepse nuk është vetura e vetme që është djegur, janë disa vetura që në këtë periudhë kohore që janë djegur dhe qytetarët janë dëmtuar në pronat e tyre, sidoqoftë mbetet të hetohet më tutje”, tha Hoti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një konference për media në Prishtinë, komentoi për ngjarjen në Leposaviq, por edhe për siç tha ajo, kërcënimet që serbët në Kosovë po përballen nga “strukturat ilegale”.

“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.

Edhe në të kaluarën, autoritetet kishin fajësuar strukturat në veriun e banuar me shumicë serbe, për djegien e veturave. Në shtator ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte shkruar në Twitter se “edhe një zyrtar serb i Policisë së Kosovës u sulmua nga strukturat paralele që dogjën veturën e tij me targa legale RKS. Kjo është thirrje e hapur për të luftuar institucionet e Kosovës”.

Më 31 tetor, autoritetet në Kosovë kanë thënë se skadon afati për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

Targat me akronime serbe për qytetet e Kosovës – sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme – konsiderohen ilegale nga Qeveria e Kosovës.

Besohet se afër 10.000 targa të tilla qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – kanë paralajmëruar për bllokim të rrugëve, nëse Kosova konfiskon veturat dhe targat. Qeveria e Kosovës, më herët kishte thënë se pas 31 tetorit, makinat me targa serbe, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës.

BE-ja do të japë 75 milionë euro për Kosovën për të zbutur krizën energjetike

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ajo e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke arritur në konferencën për media. Prishtinë, 27 tetor 2022.

RFE/RL

Bashkimi Evropian pritet të japë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.

Kështu ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën më 27 tetor.

“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, tha ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Evropa aktualisht po përballet me një krizë energjetike si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë. Furnizimi me gaz për ngrohje, por edhe energji elektrike është paralajmëruar se do të vështirësohet gjatë këtij dimri.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke falenderuar BE-në për këtë mbështetje, tha se “është vendimtare që BE-ja të “na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë me përballje me krizat, si ajo energjetike”.

Kosova siguron shumicën e furnizimit me energji elektrike përmes prodhimit të saj me qymyr. Nevoja për import të energjisë rritet gjatë dimrit, pasi kapacitetet vendore nuk mbulojnë nevojat për gjithë vendin.

Përveç mbështetjes së menjëhershme për krizën aktuale, Von der Leyen tha se pritet të ketë një investim tjetër prej 500 milionë eurosh për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Duam t’iu ndihmojmë në pavarësinë tuaj energjetike. Qasja jonë është se do të ofojmë mbështetje të fortë për të ndërtuar kapacitete të reja, për të zëvendësuar qymyrin me energji të ripëritshme”, tha ajo.

“Po punohet në bindjen e skeptikëve për liberalizimin e vizave për Kosovën”

Përveç çështjes së energjisë që, ishte arsyeja kryesore për vizitën e Von der Leyen në Kosovë, zyrtarja e lartë evropiane foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Ju dëgjoj qartë në çështjen e liberalizimit të vizave. E dini se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave. I keni përmbushur të gjitha kushtet”, tha Von der Leyen.

Rikujtojmë se Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga Von der Leyen, tashmë ka rekomanduar dy herë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, në diskutimet brenda Këshillit të BE-së, ka shtete, përfshirë Francën, që kanë vënë në diskutim kushte të reja sa i përket liberalizimit.

“Detyra jonë është të bindim të gjithë vendet e Këshillit Evropian”, ka thënë Von der Leyen.

Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.

Sistemi ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.

Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.

Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Bosnjë e Hercegovinë më 28 tetor dhe më pas në Serbi.

Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi, të shtunën, më 29 tetor.

Ursula von der Leyen sot në Kosovë, takohet me të gjithë krerët shtetit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot do të vizitojë Kosovën në kuadër të turneut të saj në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, presidentja Von der Leyen do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në Presidencë, Von der Leyen pritet të jetë në orën 09:00 të paradites derisa bashkë në orën 10:05 pritet t’u adresohen mediave. Ndërkohë nga ora 10 e 30 presidentja e KE-së do të jetë në zyrën kryeministrore për takim me shefin qeveritar, Albin Kurti.

Pas takimit, bashkë me kryeministrin Albin Kurti dhe dy ministret Artane Rizvanolli të Ekonomisë dhe Arbërie Nagavci të Arsimit do të vizitojë projektin e financuar nga BE-ja për efiçiencën e energjisë.

Me rastin e vizitës së Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Policia ka njoftuar se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të presidentes së KE-së, bashkë me delegacionin përcjellës në Kosovë.

Prandaj, Policia do të  bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në intervale të shkurta kohore, të disa segmenteve rrugore drejt kryeqytetit, ku pritet të kalojë eskorta, për çka kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët.

Deputeti ukrainas që në KiE foli për Kosovën sot ndodhet në Prishtinë

Deputeti nga Ukraina, Oleksiy Goncharenko, ndodhet për vizitë në Prishtinë dhe sot pritet t’u drejtohet deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës me një fjalim në Kuvend.

Ai bëri bujë të madhe me fjalimin e tij në Këshillin e Evropës ku bëri thirrje për njohje të Kosovës.

Goncharenko gjithashtu ishte shprehur se planifikon të ketë një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Saranda Bogujevci ishte kosovarja e parë që ka folur këtë të martë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, pasi delegacionit iu lejua edhe e drejta e fjalës këtë herë, përveç pjesëmarrjes, por ajo nuk ishte e vetmja që foli për Kosovën.

Oleksiy Goncharenko, anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës, me një fjalim pasionant, u bëri thirrje 12 anëtarëve të KiE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën “ta bëjnë menjëherë”.

“Ju lutemi ta njihni këtë vend si një shtet të pavarur. Ata luftuan për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre – duhet të ulen këtu bashkë me ne. Ata duhet të jenë pjesë e Këshillit të Evropës”, tha Goncharenko.

Në fund, në gjuhën shqipe, deklaroi se “Kosova është Evropë”.

Kjo nuk është hera e parë e as hera e fundit që politikani ukrainas do të flas për Kosovën, sepse siç thotë ai: “e di historinë dhe e di sa e vështirë ishte rruga e Kosovës drejt pavarësisë”.

Duke folur për AP, Goncharenko deklaroi se gjen shumë ngjashmëri mes asaj që aktualisht po ndodhë në Ukrainë dhe luftës së fundit në Kosovë.

“Gjenocidi që ndodhi atje, ngjarjet e tmerrshme dhe veçanërisht tash nëpër çfarë po kalojmë ne, besoj se këto dy ngjarje kanë shumë të përbashkëta dhe prandaj e ndjej se duhet ta mbështes Kosovën dhe do ta bëj edhe në të ardhmen”.

“Kosova është Evropë” në gjuhën shqipe ka mësuar ta thotë kur ishte për vizitë në Kosovë, në vitin 2008, kur u shpall pavarësia.

“Isha me fat që në vitin 2008 vizitova Kosovën. Më ka pëlqyer shumë Kosova, njerëzit dhe Prizreni veçanërisht që e konsideroj si një nga qytetet më të bukur që kam parë ndonjëherë”.

Por, udhëtimi në Kosovë shumë shpejt nuk do jetë vetëm një kujtim i bukur i vitit 2008, sepse në KiE Goncharenko u takua edhe me delegacionin e Kosovës dhe ata e kanë ftuar të vijë sërish në vizitë.

“Jam takuar me delegacionin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe jam ftuar që ta vizitojë Kosovën. Mbase do të ndodhë vizita në fund të tetorit”, tregoi për AP-në.

Veç thirrjeve në Asamblenë e Përgjithshme të KiE-së, Goncharenko thirrje për njohjen e Kosovës po bën edhe në vendin e tij, në Ukrainë.

Ukraina akoma s’e ka njohur Kosovën dhe politikani nga Odesa ka marrë një iniciativë që ta ndryshojë këtë gjendje të mosnjohjes.

Me 5 gusht, përmes llogarisë së tij në Twitter, pati njoftuar se ka dorëzuar draft-rezolutë në Verkhovna Rada (Parlamentin e Ukrainës) për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Goncharenko është deputet i pavarur dhe është opozitar. Ai s’ka grup të vetin parlamentar për ta shtyrë çështjen, por shpresë ka shumë.

Kauza është e drejtë dhe aftësitë e tij për ta artikuluar atë s’janë të vogla.

“Për momentin draft-rezoluta im për pavarësinë e Kosovës është në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, s’ka ende vendim për të”, tregon Goncharenko.

Pse ka ngecur propozimi i tij më shumë se me vetë qëndrimin për Kosovën, ka të bëjë me lëvizjet delikate e më shumë kujdes që në këtë kohë Ukraina i bën në politikën e jashtme.

“Pozicioni i ministrisë së punëve të jashtme është që të mos nguten me hapa të mëdhenj”, thotë ai, “por unë do të vazhdoj të informoj ukrainasit për gjithë mbështetjen që po marrim ne nga Kosova dhe nga populli i Kosovës”.

  • Rrugëtimi politik i  Oleksiy Goncharenko

Ai është ukrainas nga qyteti i Odesas, deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe anëtar i delegacionit ukrainas në Asamblenë e Përgjithshme në Këshillin e Evropës.

Është gjithashtu zëvendës-president në Komisionin për Migrim, Refugjatë dhe Zhvendosje të Brendshme të Personave.

Goncharenko është edhe themelues i rrjetit ukrainas për edukim dhe kulturë.

Në vitin 2014 ishte zgjedhur si deputet në parlament, apo siç njihet në Ukrainë, në Verkhovna Rada, në listën e partisë së bllokut të Petro Poroshenko-s.

Kurse në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, Goncharenko garoi dhe u zgjodh si deputet i pavarur, duke fituar një ulëse nga qyteti i Podilsk, zona e Odesas.

Goncharenko është djali i ish kryetarit të Odesas, Oleksiy Kostusyev.

Nga viti 1999 deri në 2001, ai kishte punuar në stacionin e emergjencës mjekësore në Odesa, kurse në vitin 2002, u diplomua me nderime në Universitetin e Medicinës, porse vendosi që të mos bëjë karrierë brenda profesionit, por t’i futet politikës.

Ishte vetëm 21 vjeçar, kur garoi, por pa sukses, për Këshillin e Distriktit në Odesa nga zona e fshatit Tairove, për Partinë e Të Gjelbërve Ukrainas.

Pas kësaj, një kohë punoi si asistent në këtë Këshill.

Më pas kishte regjistruar studimet në Universitetin e Moskës, drejtimi Financa, ku diplomoi në vitin 2005, me një diplomë në Ekonomiks.

Prapë do t’i kthehej politikës për të fituar në zgjedhje lokale në disa pozicione, derisa në vitin 2012 garon për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Ukrainës, por humbi nga kundërkandidati Ihor Markov.

Para Euromaidan-it që ndodhi në Ukrainë, Goncharenko ishte anëtar i Partisë së Regjioneve. Por në vitin 2014, me 19 shkurt, pasi veç kishin mbetur disa viktima në Euromaidan gjatë protestave, Goncharenko dha dorëheqje nga partia.

Në vitin 2015 ai ishte arrestuar nga forcat ruse, pasi kishte marrë pjesë në marshin në kujtim të Nemtsov, opozitarit rus.

Sipas tij, kur ishte arrestuar ishte rrahur brutalisht nga forcat policore ruse dhe ishte zotuar se do ta padisë Ministrinë e Punëve të Brendshme të Rusisë.

Nga viti 2015, Goncharenko ka qenë anëtar i delegacionit parlamentar ukrainas në Këshillin e Evropës. Prej atëherë ai ka qenë kritik i madh i regjimit në Rusi dhe ka folur hapur për shkeljen e të drejtave të njeriut atje.

Në fjalimet e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ai kritikoi Moskën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe për okupimin e Krimesë dhe pjesëve të Donetsk-ut e Luhansk-ut.

Ka luftuar gjithashtu prej kohësh me propagandën ruse dhe narrativet e Kremlinit.

Prejse ka filluar lufta në Ukrainë, ai aktivisht avokon për krijimin e një tribunali ndërkombëtar që do të hetonte krimet e Rusisë në Ukrainë.

Ai ka vazhduar të luftojë propagandën ruse, derisa aktivisht ka dhënë intervista për mediat ndërkombëtare.

105 policë të EULEX-it patrullojnë në Veri: S’kemi hasur njerëz të armatosur që nga 31 korriku

Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se aktualisht 105 zyrtarë policorë nga Polonia janë duke patrulluar në veri të Kosovës, pak ditë para skadimit të afatit për riregjistrim të targave të automjeteve në RKS.

EULEX ka konfirmuar se më 31 korrik të këtij viti ka vërejtur një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese, që ishin të armatosur në barrikadat e ngritura në Kosovën veriore. Si reagim, EULEX-i thotë se bëri shtim të patrullimeve të vëzhgimit në Kosovën veriore dhe demanton se aktualisht ka prani të ngjashme si të 31 korrikut.

“Fatmirësisht [EULEX] nuk ka hasur në ndonjë prani të ngjashme që nga ajo kohë”, thuhet në një përgjigje të EULEX-it për Gazetën Express.

Derisa kanë mbetur edhe pak ditë për vendimin për riregjistrimin e automjeteve të qytetarëve serbë në RKS, frika është rritur se tensionet mund të ngrihen si herën e fundit.

Për këtë EULEX-i thotë se po kryen patrullime në veri dhe se ka monitoruar për së afërmi të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

“Njësia jonë Policore e Specializuar, e cila përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë nga Polonia, është duke kryer patrullime të përditshme të vëzhgimit në Kosovën veriore për të kuptuar më mirë situatën”.

“Si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, EULEX-i ka bashkërendim të ngushtë si me Policinë e Kosovës ashtu edhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë. Nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, EULEX-i qëndron i gatshëm të veprojë me vendosmëri si reagues i dytë i sigurisë për uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdo kërcënim – pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë”.

“Forca e Reagimit të Shpejtë” e EULEX-it është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe ka kohë reagimi shumë të shkurtë.

Nëse është e nevojshme, Misioni thotë se është i gatshëm që të zbarkojë edhe një Njësi Policore të Specializuar Rezervë për të shtuar forcat në terren dhe kapacitetin operacional.

“Për të testuar gatishmërinë operacionale dhe për të siguruar bashkërendimin e ngushtë të të gjithë reaguesve të sigurisë, EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës rregullisht kryejnë ushtrime të përbashkëta. Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe çdo gjë që nevojitet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet në përgjigjen e EULEX.

Kurti: Serbia po zgjedh autokracinë

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi ato që ai i quajti “raporte të ngrohta” midis Serbisë dhe Rusisë, duke thënë se Beogradi po dërgon sinjale se po zgjedh autokracinë.

Gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, Serbia ka arritur dy marrëveshje me Moskën, atë për furnizim me gaz edhe për tre vjet, dhe një marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.

“E kemi ditur për një kohë të gjatë se Serbia dëshiron t’i sigurojë të gjitha, edhe armë ruse, edhe investime kineze, fonde evropiane, por edhe tolerancë amerikane. Por pushtimi rus ka zbuluar diçka së cilës i jemi frikësuar shumë, por nuk e kemi ditur me siguri: ballafaquar me zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë, Beogradi çdo ditë po përçon sinjale të qarta që do ta zgjedhë këtë të fundit”, tha Kurti.

Në maj, Serbia njoftoi se ka arritur marrëveshje për furnizim me gaz rus për tre vjetët e ardhshëm. Beogradi tha se kontrata parasheh blerje të gazit me çmim tri herë më të lirë se gazi i shitur në tregjet evropiane.

Kjo marrëveshje u arrit në kohën kur Rusia nisi ndalimin e dërgesave me gaz për shtetet evropiane, duke rritur çmimet dhe duke thelluar krizën energjetike.

Ndërkaq, në shtator të këtij viti, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin e Konsultimeve midis ministrive të Jashtme për dy vjetët e ardhshëm.

Serbia tha se marrëveshje të tilla Beogradi dhe Moska kanë që nga viti 1996 dhe ato nënshkruhen çdo dy vjet. Por, arritja e kësaj marrëveshjeje u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, me Brukselin që shprehu shqetësim për “forcimin” e bashkëpunimit Serbi-Rusi.

Kryeministri Kurti tha se Serbia po refuzon që t’i bashkohet Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Ai tha se Serbia paraqet “kërcënim” për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Po të ishte Rusia demokraci e vërtetë me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën. Ngjashëm, po të ishte Serbia demokraci e vërtetë, e jo një shtet me një parti ku opozita nuk ka kurrfarë gjase që të fitojë, nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjatë në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e presidentit [të SHBA-së, Joe] Biden për të promovuar vlera demokratike në gjithë botën mund të shihen si përpjekje për të ruajtur paqen mes kombeve. Në të kundërtën e kësaj, autokratët ia kthejnë shpinën popullit të tyre për ta përqafuar njëri-tjetrin”, tha ai.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.

Në panelin e titulluar: “Rritja e qëndrueshme, prosperiteti dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se SHBA-ja mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hovenier tha se ky proces duhet të përmbyllet.

“Ne duam që dialogu të përfundojë dhe që Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, tha ai.

Ambasadori amerikan tha se duhet të bëhet më shumë punë për rritjen ekonomike, teksa theksoi se Kosova po përballet me sfida në sektorin ekonomik dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Kurti: Lista e pronarëve të vilave në Brezovicë, ishte tronditëse

Kryeministri Albin Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Prishtinë, ka deklaruar se epokës së korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Kosovë është duke i ardhur fundi.

Ai foli edhe për punën e qeverisë gjatë 1 vit e gjysmë, duke treguar edhe arritjet.

Kurti përmendi edhe aksionin e prokurorisë në Brezovicë, sipas tij lista e pronarëve të vilave në Brezovicë ishte tronditëse, por jo befasuese.

“Me demokraci nënkuptojmë krijimin e shteteve funksionale. Qeveria jonë e ka marr mandatin para dy vitesh dhe esenciale për demokracinë është sundimi i rendit dhe ligjit. Me Qeverinë tonë Republika ka bërë përparime shumë, jemi ngritur në indeksin e luftës kundër korrupsionit”, tha Kurti teksa përmendi edhe aksionin e prokurorisë në Brezovicë.

“Autoritetet ligj zbatuese kanë ndërmarrë 800 operacione policore ndaj krimit dhe korrupsionit dhe kanë arrestuar mbi 2000 njerëz duke përfshirë afërsisht 300 zyrtarë publikë e shtetërorë. Kanë shkatërruar 68 banda kriminale dhe kanë konfiskuar mbi 1.8 milionë drogë, 75 villa të sekuestruara për shkak të ndërtimit të paligjshëm dhe lista e pronarëve ishte tronditëse por jo befasuese – gjyqtarë të nivelit të lartë, biznesmenë të pasur, politikanë dhe të afërmit e tyre”, tha Kurti. Express

Kosova e merr model Zvicrën për shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi ka thënë se shumë shpejt do të vjen një koncept dokument në Kuvendin e Kosovës, për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Ajo theksoi se Ministria e Mbrojtjes e ka themeluar një grup punues që po merret për hartimin e një projektligji, derisa shtoi se janë duke shikuar bashkëpunimin me Zvicrën, në lidhje më këtë.

“Strategjia e sigurisë është shumë e qartë, dhe specifikon mirë rreziqet nga i vinë Kosovës dhe si do të duhet të veprojnë institucionet e saj”, ka theksuar Mehmeti-Selimi.

“Ministria e Mbrojtjes, veçse e ka themeluar një grup punues, që po merret me hartimin e një projekgliji dhe kanë bërë vizitë në shtetin e Zvicrës, dhe janë duke shikuar mënyrën e bashkëpunimin me shtetin Zvicrës, si të implementohet në Kosovë për shërbimin ushtarak të detyrueshëm në Kosovë, po shikohen mundësi më të mira, nuk ka kontakte veç me Zvicrën por edhe me shtetet tjera”.

“Shumë shpejt do të vjen një koncept dokument, në parlament dhe ne do të jemi të gatshëm ta shqyrtojmë, qeveria i ka marrë masat, i ka punët e specifikuar, në drejtimin e strategjisë së sigurisë”.

Bislimi: Vuçiq në takime private në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet përgatitur terreni

Zëvendëskryeministri i parë dhe shefi i ekipit negociator në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, në një intervistë për RTK, ka thënë se fillimisht dialogu me Serbinë ishte planifikuar të zgjasë dy vjet, derisa sot po hyjmë në vitin e dymbëdhjetë të këtij procesi.

Ai theksoi se çdo vonesë në arritjen e zgjidhjes përfundimtare e dëmton sigurinë dhe paqen në rajon dhe se Kosova e Serbia, përkatësisht qytetarët e të dyja vendeve do të vuajnë pasojat më të mëdha. Duke folur për normalizimin e marrëdhënieve, Bislimi tha se njohja reciproke është e rëndësishme, nëse jo edhe elementi kryesor i atij normalizimi, sepse pa të, siç shtoi ai, është e vështirë të normalizohen marrëdhëniet.

“Vuçiq në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet të përgatitet terreni në Serbi, duhet kohë dhe pastaj në publik thotë se nuk do ta njohë kurrë. Njohja reciproke do të kontribuonte në shfrytëzimin shumë më të mirë të resurseve që ka Kosova dhe Serbia, të cilat ne mund t’i ofrojmë edhe Evropës. Por ajo që ne u përpoqëm të vërtetojmë në Bruksel është se përparimi i Kosovës nuk varet nga vetë njohja. Njohja është e rëndësishme për ne, kontribuon për paqen, por Kosova mund të zhvillohet pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.

Ai ka theksuar se Kosova tashmë është demokratizuar dhe e ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë në rajon.

Sipas Bislimit Kosova ka progres të madh edhe në sundimin e ligjit, gjë e cila siç ka thënë ai nuk mund të thuhet për Serbinë.Shefi i ekipit negociator të Kosovës shtoi se, nëse njohjen reciproke e shohim si peng, atëherë Serbia është më shumë se Kosova peng i kësaj njohjeje reciproke./RTK/

Haradinaj: Me Kurtin diskutuam për përmbajtjen e marrëveshjes potenciale me Serbinë

RFE/RL

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Kryeministri Kurti u ka dërguar ftesë edhe dy partive tjera opozitare për të diskutuar për këtë çështje – Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës – mirëpo ato nuk kanë pranuar.

Haradinaj ka thënë se takimi me Kurtin ka qenë përmbajtësor.

“E diskutuam procesin, e diskutuam vetë marrëveshjen, diskutuam për sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Mund të them se ishte takim me përmbajtje, sepse kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshjeje potenciale, Kosovë-Serbi”.

Ai ka thënë se finalizimi i këtij procesi duhet të bëhet me vulën e Shteteve të Bashkuara dhe se marrëveshja do të duhej të nënshkruhej në Uashington.

“Duhet ta ketë vulën e Amerikës, jo vetëm mbështetjen e Amerikës. Për të qenë ky proces në garanca të plota, duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan”, ka thënë Haradinaj.

Ai po ashtu ka bërë thirrje për qasje serioze në këtë fazë të dialogut.

“Vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush më pas. Duhet të jemi sa më serioz, duke marrë parasysh shkallën e seriozitetit të akterit ndërkombëtar, duke parë sa seriozë janë Uashingtoni, Berlini, Londra, Parisi. Ne duhet ta konsiderojmë me shumë seriozitet këtë proces. Do të punojmë që Kosova të dalë e suksesshme. Nuk bëhet fjalë për agjenda tjera, as zgjedhore, as qeverisëse”.

Haradinaj nuk u është përgjigjur gazetarëve nëse në takim është diskutuar për të ashtuquajturin propozim franko-gjerman, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën për një televizion në Kosovë, se SHBA-ja e mbështet këtë propozim dhe çfarëdo plani që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, ka thënë Escobar.

Escobar ka thënë se njohja reciproke “do të ndodhë”, pavarësisht se propozimi franko-gjerman, siç është raportuar, nuk përfshin njohjen reciproke.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozimi franko-gjerman konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë propozim për marrëveshjen finale.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator, u kanë kërkuar palëve që të jenë të gatshme për vendime të vështira në dialog.

Kosova dhe Serbia kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.

Ministrja gjermane për Evropën do të vizitojë Kosovën

RFE/RL

Ministrja gjermane për Evropë dhe Klimë, Anna Luhrmann, do të vizitojë këtë javë Kosovën dhe në agjendën e saj janë edhe takimet me përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës.

Sipas Ambasadës gjermane, ajo do të jetë në Kosovë më 22 – 23 tetor.

Vizita e saj në Kosovë vjen në kohën kur Franca dhe Gjermania besohet se u kanë ofruar një propozim liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të ishte një kornizë e re për dialogun midis tyre, për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën për një televizion në Kosovë, se SHBA-ja e mbështet këtë propozim dhe çfarëdo plani që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, ka thënë Escobar.

Escobar ka thënë se njohja reciproke “do të ndodhë”, pavarësisht se propozimi franko-gjerman, siç është raportuar, nuk përfshin njohjen reciproke.

Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, propozimi franko-gjerman konsiston në atë që shteti i tij të lejojë që Kosova të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë propozim për marrëveshjen finale.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përmes një letre dërguar Kurtit dhe Vuçiqit më 4 shtator, u kanë kërkuar palëve që të jenë të gatshme për vendime të vështira në dialog.

Dialogu për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Palët kanë dallime sa i përket përfundimit të këtij procesi.

Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi mund të bëhet fjalë.

BE: KOSTT dhe Elektrosever kanë arritur marrëveshje për rrymën në veri

Nënstacioni elektrik i Vallaçit që gjendet në veri të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

 

RFE/RL

Bashkimi Evropian njoftoi se Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe kompania serbe Elektrosever, më 18 tetor kanë arritur një marrëveshje teknike për zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjen për Energjinë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, sipas BE-së, Elektrosever ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve në veri.

BE-ja tha se marrëveshja është arritur nën ndërmjetësimin e saj, pasi Kosova kishte nisur procedurat e parapara në marrëveshje, për t’i hequr licencën kompanisë serbe Elektrosever për të operuar në Kosovë.

“BE-ja ishte njoftuar nga ana e Kosovës për inicimin e fazës 15-ditore të konsultimeve sipas nenit 8 të Udhërrëfyesit të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si rezultat i ndërmjetësimit të BE-së, më 18 tetor KOSTT dhe Elektrosever kanë finalizuar dhe nënshkruar marrëveshjen e standardeve teknike, sipas nenit 3 të Udhërrëfyesit. Të njëjtën ditë, Elektroseveri ka dorëzuar të dhënat e konsumatorëve, sipas nenit 2 të Udhërrëfyesit”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i BE-së.

Blloku evropian ka bërë thirrje që palët të zbatojnë pa vonesa të gjitha obligimet që dalin nga Udhërrëfyesi, pasi me afrimin e stinës së dimrit, sipas BE-së, nuk ka kohë për të humbur.

“Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të zbatojnë pa vonesa të reja obligimet e tyre që kanë mbetur nga Udhërrëfyesi”, u tha në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së dërguar REL-it.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia nënshkruan Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 24 qershor, kompania serbe Elektrosever, ishte licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.

Por, pala kosovare kishte thënë se kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e dala nga Udhërrëfyesi, që do t’i mundësonin operimin në tregun e Kosovës.

BE-ja kishte shprehur shqetësimin për ritmin e ngadalshëm të zbatimit të Udhërrëfyesit për energji, që kërcënonte edhe të dështonte plotësisht marrëveshjen.

Udhërrëfyesi për energjinë, por edhe pajtimi midis Kosovës dhe Serbisë që qytetarët e dy shteteve të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim – pa dokumente shtesë – përmenden si sukseset më të mëdha të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja në këto dy muajt e fundit.

Burimet diplomatike i thanë REL-it se vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi, e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, krahas temave të tjera, kishte për qëllim që të bindte palët që të zbatonin pa vonesa Marrëveshjen për Energjinë.

Lajçak u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor dhe katër ditë më vonë u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit me liderin serb, Lajçak deklaroi se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.

Një vit heqje lirie ish ministri serb në qeverinë e Kosovës

VOA

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të enjten ish ministrin e pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, me një vit heqje lirie, nën akuzën për “nxitje të urrejtjes”, dhjetë muaj pasi Gjykata e Lartë e Kosovës anuloi dënimin e parë të vitit 2019 dhe e ktheu çështjen në rigjykim.

Ish ministri serb u shpall fajtor për shkak të komenteve të tij të viti 2019 me ç’rast e kishte cilësuar “trillim” masakrën e janarit të vitit 1999 në fshatin Reçak të Shtimes.

Por, gjykata e dënoi me një vit heqje lirie, një vit më pak sesa ishte dënuar në dhjetor të vitit 2019.

Ish ministri në muajin mars të vitit 2019 tha se “masakra e Reçakut ishte trillim”, në një manifestim që përkonte me 20-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Ai në atë kohë mbante postin e ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, por u shkarkua nga ish kryeministri Ramush Haradinaj.

Dënimi nxiti reagime në Beograd, përfaqësuesit e të cilit e cilësuan si mohim të lirisë së shprehjes.

Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtues i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat, rrëzë një kodre dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.

Ngjarja shënoi fillimin e një fushate diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Arrestohet në Hungari një serb i dyshuar për përfshirje në krime lufte në Kosovë

VOA

Prokuroria e Posaçme në Kosovë tha të martën se një serb i akuzuar për përfshirje në vrasjen e civilëve shqiptarë në vitin 1999 është arrestuar në Hungari në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.

Prokuroria tha se i arrestuari që u identifikua me nistoret S.S. dyshohet se në pranverën e vitit 1999 mori pjesë në vrasjen e 33 civilëve shqiptarë në një lagje të qytetit të Pejës rreth 85 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Mediet në Hungari thanë se autoritetet e drejtësisë hungareze do të vendosin nëse ai do t’u dorëzohet autoriteteve në Kosovë.

Kosova, doli nga lufta e viteve 1998-99 me mbi 10 mijë të vrarë, kryesisht shqiptarë dhe mijëra të zhdukur, për fatin e mbi 1mijë e 600 prej të cilëve ende nuk dihet asgjë,

Ajo shpalli pavarësinë e saj nëntë vjet pas luftës që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, ndonëse normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve është kusht për integrimet e tyre evropiane.

Studimi: 15% e viktimave të dhunës gjatë luftës në Kosovë ishin nën 18 vjeç

Kosovë, dokumentimi i dhunës seksuale në konflikt

VOA/Edlira Bllaca

Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, e cila që nga viti 2019 ka nisur dokumentimin e përdhunimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës, bëri të ditur se nga 900 raste të dokumentuara deri tash, 15 për qind e tyre janë të moshës nën 18 vjeç.

Të dhënat u publikuan të martën në Prishtinë gjatë konferencës ndërkombëtare mbi dokumentimin e krimeve të dhunës seksuale në konflikt.

Sipas kësaj organizate, të afërmit e viktimave kanë qenë të pranishëm gjatë aktit të përdhunimit në 71 për qind të rasteve, ndërsa përdhunimi në grup ka ndodhur në 47 për qind të rasteve.

Fatmire Haliti nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, tha se nisma për dokumentimin e këtyre krimeve është marrë në mungesë të dokumentimit nga institucionet shtetërore në Kosovë.

“Duke pasur parasysh rëndësinë dhe ndjeshmërinë e këtij procesi, si dhe mungesën e manualeve apo udhëzuesve për një dokumentim të tillë, QKRMT ka nisur një proces të ri i cili do t’i kontribuojë të gjithë atyre që janë duke bërë apo do të bëjnë dokumentim të krimeve të dhunës seksuale në kontekst lufte”, tha ajo.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Kosova është vonuar shumë në këtë proces, por Instituti për Krime Lufte është në themelim e sipër dhe do të jetë përgjegjës për dokumentimin e të gjitha krimeve të luftës.

“Megjithatë sfida më e madhe do të jetë kur të fillojë puna e këtij instituti, sepse më shumë se dy dekada pas luftës asgjë nuk është e lehtë dhe uroj që Ukraina të mos e ndjek shembullin e Kosovës në kuptim të vonesës në dokumentim. Kjo për faktin se gjithçka do të ishte më e lehtë sikur me dokumentim të merreshim menjëherë pas përfundimit të luftës dhe jo më shumë se dy dekada prej periudhës së pasluftës sepse shumë nga të mbijetuarit kanë ndërruar jetë, dëshmitarët gjithashtu”, tha zonja Haxhiu.

Irina Dovgan, e cila ishte përdhunuar në Donetsk të Ukrainës, në vitin 2014, ndërsa tash përfaqëson Rrjetin Ukrainas të Grave të Prekura nga Dhuna, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se i ka shërbyer mësimi i marrë nga rasti i Kosovës, dhe ka nisur dokumentimin e dhunës seksuale pak kohë pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë.

“Tre vite më parë, e ftuar nga Qendra e Kosovës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kam qëndruar në Kosovë dhe kam pasur mundësinë të kem qasje në dokumente e të studioj tërë praktikën e përdorur këtu. Kur agresioni nisi në Ukrainë, më hyri në punë kjo përvojë meqë e kisha përgatitjen e duhur se si ta përdori këtë praktikë në vendin tim. Kështu që ka më shumë se gjashtë muaj që po punoj në dokumentimin jo vetëm të dhunës seksuale por gjithë krimeve të luftës në Ukrainë”, tha ajo.

Ajo tha se si e mbijetuar e këtij krimi e ka shumë të vështirë të shoh që ai po përsëritet dhe po përdoret si mjet lufte nga forcat ruse.

“Unë nuk mund të flas për statistika zyrtare, por mund të jap informata nga përvoja ime personale dhe nga baza e të dhënave që unë kam grumbulluar. Si shembull mund të marr një fshat që e kam vizituar dhe ku janë tre raste të konfirmuara të përdhunimeve, një nënë, një vajzë nën 18 vjeç, dhe një vajzë tjetër 20 vjeç. I tërë fshati e di ngjarjen, në rastin ku janë përdhunuar nëna dhe vajza, babai dhe vëllai i saj janë vrarë, ndërsa në familjen tjetër ku u përdhunua vajza tjetër është vrarë babai i saj i cili po përpiqej ta mbronte. Tërë fshati thotë se ka shumë më shumë raste por gratë janë aq të turpëruara dhe të traumatizuara saqë nuk janë ende të gatshme të ndajnë përvojën e tyre”, tha zonja Dovgan.

Përfaqësues të institucioneve e organizatave vendase e ndërkombëtare theksuan gjatë konferencës se dokumentimi i krimeve që lidhen me përdhunimet është proces shumë sfidues, por i domosdoshëm për drejtësinë dhe përballjen me të kaluarën e vendeve që dalin nga konfliktet.

Propozimi francez për vizat “mund të ndryshojë”

Doruntina Baliu

Kushtëzimet e reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, të iniciuara nga Franca, mund të mos kalojnë në Këshillin e Bashkimit Evropian, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bechev thotë se kërkesa franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, tash për tash, duhet të shihet vetëm si propozim.

“Këshilli (i BE-së) mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin”, thotë ai.

Në takimin e 13 tetorit u shqyrtua raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian, që konfirmon përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Nëse do të kishte pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve do ta bartnin përgjegjësinë te Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për nisjen e bisedimeve trepalëshe në lidhje me këtë çështje.

Meqë nuk kishte pajtim, diskutimet do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të BE-së më 9 nëntor, ndërsa, deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete.

Po ashtu, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, vendet anëtare të BE-së kanë afat deri më 21 tetor që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në lidhje me motivin e Francës për kushtet shtesë, Bechev thotë se ajo synon forcimin e BE-së.

“[Franca] përdor zgjerimin për të nxitur rishikimin e politikave [brenda BE-së]”, thotë ai.

Franca nuk është e vetmja që mbështet idenë për ta lidhur ETIAS-in me lirinë e lëvizjes së kosovarëve. Belgjika dhe Spanja e mbështesin po ashtu, ndërsa Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e konsideruar atë. Gjermania, megjithatë, është fuqishëm kundër propozimit.

I pyetur nëse presioni i mundshëm i Gjermanisë mund ta ndryshojë qëndrimin e Francës, Bechev thotë se “ajo ka mjaft ndikim në këtë çështje, marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e saj gjeografike”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme të Francës në lidhje me kërkesat e shtetit të tyre dhe nëse ka mundësi që Parisi të tërhiqet nga ky pozicion, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.

“Të binden skeptikët”

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian, ka thënë më 14 tetor për Radion Evropa e Lirë se shtyrja e mëtutjeshme e liberalizimit të vizave për Kosovën është qasje “shkurtpamëse” dhe e dëmshme për Bashkimin Evropian.

“Të shtyhet sërish liberalizimi i vizave është thellësisht e padrejtë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. (Kjo) minon besueshmërinë dhe ndikimin e (BE-së) në Ballkan në tërësi”, ka thënë Bender.

Bender, i cili punon edhe në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, ka thënë se shtetet e BE-së duhet të sigurohen se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të merret shpejt dhe “pa kushte shtesë”.

“Kjo kërkon një përpjekje reale nga shtetet anëtare që mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, për t’i bindur skeptikët. Nëse nuk ka një përpjekje të tillë, skenari më i mundshëm është një vonesë e re e konsiderueshme”, ka thënë, mes tjerash, Bender.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë.

Javën e kaluar, Komisioni, edhe njëherë, ka lëshuar një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Përveç ndërlidhjes së liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS, ka pasur zëra se Franca mund të nxjerrë edhe kushte të tjera, si për shembull: Prishtina të arrijë marrëveshje të riatdhesimit me të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Serbia njësoj si Rusia, kërkon tokë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, thotë se Serbia si një vend pro-rus operon me idenë se ‘sa më shumë territor aq më shumë e mbrojtur do të jetë’, prandaj ndodhur përball kësaj ideologjie të një vendi fqinj, ai thekson se integrimi i Kosovës është i domosdoshëm.

Ai thotë se aktualisht Kosova është e interesuar që në një afat rekord të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, për çka kërkon mbështetjen edhe të vendeve mosnjohëse.

Mehaj duke folur për KosovaPress konsideron se është e rëndësishme që anëtarësimi i Kosovës në organizatat botërore të sigurisë të ndodh sa më shpejt, marrë parasysh edhe situatën e brishtë të sigurisë në botë si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe politikën proruse të Serbisë.

Sipas tij, krahas grupit ndërministror për Partneritet për Paqe që tashmë është themeluar, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të shohin ndryshimet pozitive në Kosovë. Derisa thekson se po i rrisin bashkëpunimet bilaterale me shumë partnerë të tjerë të NATO-s.

‘Kosova është e fokusuar në integrimin në NATO sa më shpejt, situata ka ndryshuar gjeopolitikisht, jo vetëm në rajon por në mbarë botën, është shumë me rëndësi që edhe këto katër shtete mosnjohëse të NATO-s ta mbështesin Kosovën në Partneritet për Paqe, pastaj në anëtarësimin e plotë në NATO’, thotë ai.

Derisa thotë se situata e sigurisë në vend është e qetë, ministri Mehaj thotë se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë në vend dhe se Kosova ndan vlerat e veta demokratike me të gjitha vendet perëndimore.

Sipas ministrit Mehaj, Kosova duhet që sa më parë të integrohet edhe në Bashkimin Evropian pasi që kanoset nga poltika serbe se ‘më shumë territor më lehtë me e mbrojt veten’.

‘Në përgjithësi situata në Kosovë është e qetë, jemi në bashkëpunim me të gjitha agjencitë e sigurisë së Kosovës por edhe me KFOR-in… Kosova jo vetëm që i ndan vlerat e veta demokratike sikur aleatët tanë, partnerët në NATO, por anën tjetër shihet Serbia, fqinjët tanë, si nuk i përcjellin normat ndërkombëtare por është e bashkangjitur bashkë me Rusinë. Nuk i ndanë të njëjtat vlera demokratike sikur shtetet e Evropës dhe NATO-s… Si partnerët tanë, edhe shtetet të cilat na kanë mbështetur të jetë Kosova në këtë ditë sot, t’i ngrit Kosova kapacitetet e sigurisë, me të vërtetë të integrohet në Bashkimin Evropian por edhe në NATO sa më shpejt që është e mundshme, jo vetëm si Serbia që ka tensione në stabilizim, sepse ata operojnë sikur rusët, më shumë territor, aq me lehtë më mbrojt vetën, ashtu mendojnë madhësinë e vet’, thotë Mehaj.

Ministri Mehaj ka theksuar se interesat Serbisë në Kosovë janë me qëllime të këqija.

‘Serbia kurrë si ka qëllimet e mira për Kosovën në asnjë aspekt, ne shpresojmë se një ditë ata kthehen për të mbarë e të mirë, por pjesa e dialogut e bënë të vetën’, thotë ai.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj apelon të rinjtë që të aplikojnë në rekrutimin e radhës në FSK, ndërsa bën të ditur se ka ndryshuar kriteri për moshën, nga 23 vjeç që ishte, është bërë 25 vjeç. /KP

Limaj-Ramës: Ka shtet kosovar dhe kombësi shqiptare! Gjeneza e luftës, Serbia me sponsor Rusinë

Kryetari i Partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, komentoi në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Europës dhe deklaratën e tij kur i quajti kombi kosovar.

Duke iu përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, Fatmir Limaj tha se ka shtet kosovar dhe komb shqiptar dhe për këtë janë krenar.

“Jemi krenar për shtetin tonë, si shtetas kosovar, por etnia jonë është shqiptare dhe jemi krenar për këtë.”-tha Fatmir Limaj.

Se përse Rama përpiqet të shfajësojë Serbinë në arenën ndërkombëtare dhe sulmet ndaj Moskës për raportin e Dick Martyt, Limaj tha lufta ka gjenezë Serbinë dhe Beogradin me sponsor Rusinë.

Raporti, gjenezë ka Serbinë dhe Beogradin. Sponsor ka pasur Rusinë. Lufta në Kosovë ishte gjenocid e masakër.”-tha Limaj.

MInistrja e Jashtme e Gjermanisë Ministres të Jashtme të Kosovës: Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën !

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock gjatë takimit me Donika Gërvallën, Ministren e Jashtme dhe nënkryeministren e qeverisë të Kosovës midis të tjerave nënvizon: 

“Si qeveri gjermane, qëndrimi ynë është shumë, shumë i qartë për njohjen. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën.”

Nga ana e saj Donika Gërvalla reagon në Twitter: “E dashur Annalena @ABaerbock, Faleminderit shumë për bisedën shumë miqësore! 🇩🇪 mbetet një model dhe është një mik dhe partner i vërtetë strategjik për 🇽🇰. 🇩🇪 dhe 🇽🇰 qëndrojnë së bashku për Evropën, NATO-n dhe mbrojtjen e parimeve tona, veçanërisht tani.”

Patriarku Porfirije shugurohet në Patrikanën e Pejës

Sandra Cvetkoviq

Në manastirin e Patrikanës së Pejës, në perëndim të Kosovës, u mbajt akti ceremonial i shugurimit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, në fronin e kryepeshkopit të Pejës dhe patriarkut të serbëve.

Pas shugurimit, Porfirije tha në Patrikanën e Pejës se programi i tij është “paqja dhe vetëm paqja, dhe para së gjithash me fqinjët e parë, paqja është e vetmja mundësi për mbijetesën e fëmijëve tanë dhe të tyre”.

Pas liturgjisë së shenjtë, ai ftoi të gjithë besimtarët të luten për paqe.

“Ftoj të gjithë besimtarët nga ky vend që të lutemi për të gjithë njerëzit, për të gjithë vëllezërit dhe motrat, për të gjithë bashkatdhetarët dhe ata me të cilët jetojmë, e para së gjithash për vëllezërit shqiptarë, që së bashku të ndërtojmë paqen, ashtu siç ndërtuan familjet serbe me ato shqiptare, të cilat e ruajtën Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit në kohët e mira dhe të liga”, tha patriarku Porfirije.

Ai shtoi se një ftesë të tillë e ka bërë në fillim të fjalimit të tij, pikërisht që dikush të mos e lexojë ndryshe programin e patriarkut dhe të gjithë kishës serbe, përveç ashtu siç është shkruar në ungjij.

Porfirije theksoi se përgjegjësinë për situatën në Ballkan e kanë para së gjithash njerëzit që jetojnë atje.

“Prandaj, sot nga ky vend i shenjtë u themi serbëve dhe shqiptarëve dhe kujtdo që jeton në këto vise – gjeni forcë në veten tuaj, njihni Zotin dhe ejani të mbrojmë njëri-tjetrin, sepse dëshira për paqe është në përputhje me parimet themelore të besimit tonë dhe paqes. Është pjesë e planit të Zotit për njerëzimin dhe gjithë botën e krijuar”, theksoi patriarku serb.

Më 14 tetor, Kisha Ortodokse Serbe dhe besimtarët shënojnë festën fetare të manastirit të Patrikanës së Pejës.

Akti i shugurimit të patriarkut u bë një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij si udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe.

Në ceremoninë e shugurimit morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, si dhe qytetarë serbë nga Kosova dhe shtetet e rajonit.

Patriarku Porfirije erdhi në Kosovë më 12 tetor, ku u prit nga peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, si dhe nga klerikët dhe murgjit e tjerë të Kishës Ortodokse Serbe.

“Sa herë që vijmë këtu (në Kosovë) kemi një ndjenjë të thellë se jemi kthyer te vetja”, tha patriarku serb në një fjalim nga Prizreni, para shugurimit.

Policia e Kosovës me plan operativ

Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), tha se është përgatitur një plan operativ për garantimin e sigurisë gjatë aktit të shugurimit të patriarkut Porfirije.

Ai shpjegoi se plani operativ ka hyrë në fuqi më 12 tetor dhe do të zgjasë deri në përfundimin e aktit të shugurimit.

“Të gjitha masat për siguri janë ndërmarrë nga Drejtoria rajonale (e Pejës) për manifestimin që e ka Patrikana në Pejë”, tha Gashi.

Pse është i rëndësishëm shugurimi në Patrikanën e Pejës?

Akti i shugurimit në manastirin e shekullit XIII, në Patrikanën e Pejës, është vendi ku patriarkët serbë, sipas traditës, marrin detyrën.

Në Patrikanën e Pejës është shuguruar patriarku i parë i Patrikanës Serbe, Dimitrije (Pavloviq), më 24 gusht të vitit 1924, ndërkaq më vonë aty janë shuguruar edhe pasuesit e tij në fronin e Shën Savës.

“Për tetë shekuj, manastiri i Patrikanës së Pejës ka ruajtur fronin e shenjtë, në të cilin janë hyj trashëgimtarët e Shën Savës dhe nga i cili kryepeshkopët dhe patriarkët serbë qeverisin Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë javën e kaluar Kisha Ortodokse Serbe, kur u paralajmërua shugurimi i patriarkut Porfirije në Patrikanën e Pejës.

Çfarë ka thënë patriarku për Kosovën?

Në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, patriarku Porfirije tha se prioriteti i parë, si për të ashtu edhe për Kishën, do të jenë “serbët e vuajtur nga Kosova, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët që janë kudo në botë”.

“Ne jemi në Kosovë dhe Kosova është në ne”, tha Porfirije, pas shugurimit si patriark, më 19 shkurt, në Kishën e Krye-engjëllit Mihail në Beograd.

Ndërkohë, ai ka ardhur disa herë në Kosovë, ndërsa herën e fundit e ka mbajtur shërbesën përkujtimore në Gazimestan, më 28 qershor të vitit 2022, me rastin e festës së Shën Vidit të Kishës Ortodokse Serbe.

Çdo vit, në atë vend organizohet përvjetori i Betejës së Kosovës e vitit 1389, ngjarje kjo që shënoi fillimin e rënies së shtetit mesjetar serb nën sundimin osman. Në historinë moderne, veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit XX, ajo u përdor për qëllime të popullarizimit të politikës nacionaliste serbe, e cila përcolli shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë.

Në shënimin e sivjetshëm të Shën Vidit, Porfirije porositi nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, se populli serb dhe shqiptar janë “vëllezër”, sepse jetojnë së bashku në Kosovë.

“Dhe, jam i sigurt se ata gjithashtu e dinë, nëse besojnë në Zot, në një Zot, se edhe librat në të cilat besojnë pjesa më e madhe e tyre, e kërkojnë të njëjtën gjë. Ato (librat) ftojnë dhe kujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit. Se ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe se është e rëndësishme që ne vet ta kuptojmë këtë”, tha në atë kohë patriarku.

Ndalesa për përfaqësuesin serb, mesazh i kryeministrit të Kosovës

Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ka ndaluar hyrjen. Vendimin e tillë ai e quajti si “më skandalozi” pasi kishte planifikuar të merrte pjesë në shugurimin e patriarkut në Patrikanën e Pejës.

Petkoviq deklaroi se në emailin që i është dërguar, nuk shpjegohet pse vizita e tij ishte e ndaluar. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 tetor, ka thënë se më e rëndësishme është që ka ardhur patriarku Porfirije dhe se kisha duhet të veprojë veçmas nga politikanët.

Ai vlerësoi, gjithashtu, se Kisha Ortodokse Serbe e kryesuar nga patriarku Porfirije, duhet të “distancohet nga Kremlini”.

“Do të ishte mirë që patriarku serb, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, të dënonte agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe në këtë mënyrë të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin”, tha Kurti.

Mesazhet kundërthënëse të patriarkut

Në shtator, patriarku serb, Porfirije, mbështeti anulimin e paradës Europride (shëtitjes së LGBT+) në Beograd dhe me atë rast udhëhoqi ecjet fetare, në të cilat ishin të pranishëm grupet ekstreme djathtiste.

Në ato tubime, përveç simboleve të kishës, u theksuan edhe simbolet e pushtimit rus të Ukrainës.

Gjithashtu, më 7 tetor Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi mbajti një tubim fetar, duke u lutur “për shenjtërinë e martesës dhe ruajtjen e familjes” në shenjë proteste kundër mbajtjes së Paradës së Krenarisë në atë vend. Në proklamatë, për pjesëmarrësit e kësaj parade, thuhej se “me vlerat e çoroditura që propagandojnë, tallen me traditën e krishterë, duke minuar familjen, kombin dhe shtetin”.

Në vitin 2019, Kisha Ortodokse Serbe i dhuroi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dekoratën e Shën Savës të Urdhrit të Parë për “dashurinë e tij aktive për Kishën dhe luftën e palodhshme për integritetin e Serbisë, e në veçanti për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e saj”.

Më pas, në shtator të vitit 2022, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, e dekoroi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, “për meritat e tij në mbrojtjen e vlerave të krishtera”. Kryeministri Orban, deklaroi më pas se ishte krenar që dekoratën ia dha një i krishterë, ortodoks dhe serb.

Ndërkohë, në shtator, Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Çikago i dha dekoratën “Peshkopi i Shenjtë Mardari” liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel.

Kjo ishte dekorata e tretë nga Dioqezat e Kishës Ortodokse Serbe për Sheshelin, i cili me aktvendim përfundimtar u dënua me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës, në vitin 2018, për nxitjen e persekutimit, dëbimit të dhunshëm dhe zhvendosjes së detyruar të kroatëve në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992. Lidhur me këtë, Patriarku Porfirije nuk ka folur fare.

Marrëdhënia ndërmjet Porfirijes dhe Vuçiqit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me patriarkun Porfirije menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe, ku temë kryesore e bisedës ka qenë Kosova.

“E njoftova patriarkun për gjendjen faktike në Kosovë dhe Metohi, si dhe për faktet politike dhe negociatat politike që na presin, apo për ato që i kemi përfunduar”, tha në atë kohë Vuçiq.

Një takim i ngjashëm ndërmjet Vuçiqit dhe patriarkut është mbajtur në maj të këtij viti, ku përveç Kosovës është diskutuar edhe për luftën në Ukrainë.

Asokohe, patriarku tha se Kisha Ortodokse Serbe, kudo që është, respekton ligjet në fuqi në ato shtete, por se shpesh është viktimë e manipulimit mediatik nga njerëz që duan të keqpërdorin kishën në proceset gjeopolitike.

“Ata duan të na tregojnë se jemi të orientuar kështu ose ashtu, se jemi dorë e zgjatur e dikujt ose se kemi plane të errëta”, tha ai.

Parlamenti Evropian (PE) në rezolutën e tij, me të cilën në mars dënoi përpjekjet e Rusisë për të përfituar nga tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor, shprehu gjithashtu shqetësimin për “përpjekjen e Kishës Ortodokse për të promovuar Rusinë si një mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës”.

Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, veçanërisht në entitetin Republika Sërpska, janë vende që, sipas PE-së, i nënshtrohen ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Gratë e Kosovës, i presin flokët në sheshin e Prishtinës, solidarizohen me gratë në Iran

Organizata Joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo (YIHR) KS”, ka mbajtur një protestë në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, duke u solidarizuar me gratë në Iran.

Aktivistet kanë prerë edhe flokët në shenjë solidarizimi me rastin e vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Aminit, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte vendosur në mënyrë të duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat e atjeshme.

Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm ndaj grave të reja nga policia mbikëqyrëse e moralit. Express

Njofton prokuroria: vazhdon sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në zonën e Brezovicës

Edhe sot po vazhdon sekuestrimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë ilegale në zonën e Brezovicës. Prokuori i rastit tha të marten për Gazetën Express se vilat u takojnë pronarëve të “të gjitha strukturave”, duke përfshirë politikanë e biznesmenë.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë edhe sot janë duke vazhduar aksionin lidhur me sekuestrimin e objekteve të ndërtimit në  Brezovicë –  Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”.

“Raportet e pranuara lidhur me këtë rast nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë dhe nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Departamenti për Menaxhim i AMMK-së, vërtetojnë se në këtë zonë, janë të ndërtuara rreth njëqind (100) objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Nisma franko-gjermane ‘pa garanci’ për Kosovën dhe Serbinë

Bekim Bislimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kanë marrë mesazhet nga nivelet e larta politike dhe diplomatike të Bashkimit Evropian, në veçanti Gjermanisë dhe Francës, për t’iu qasur seriozisht arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, në Kosovë dhe Serbi, Agon Maliqi dhe Dushan Janjiq.

Sipas tyre, këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e ditëve të fundit të Kurtit dhe Vuçiqit lidhur me nismën franko-gjermane, e cila në mediat në Kosovë dhe rajon është përshkruar si dokument-propozim që përmban kornizën e re, mbi të cilën do të bisedohet për arritjen e marrëveshjes që do të zgjidhë kontestin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument-propozim, siç komentojnë ata, Kurtit dhe Vuçiqit u ka arritur përmes këshilltarëve Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne, të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emanuel Macron.

Ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Francës në Kosovë, nuk kanë konfirmuar nëse nga ana e vendeve të tyre ka një iniciativë apo dokument-propozim, që mund të jetë kornizë e re e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, e cila do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve.

Propozimi franko-gjerman “udhëzues dhe sugjerues”

Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit, drejtpërdrejt apo tërthorazi, konfirmojnë se ekziston propozimi francezo-gjerman. Por, sipas tij, ky propozim nuk duket të jetë i detajuar krejtësisht, por jep një kornizë të përafërt të asaj që është e mundshme.

“Dokumenti më shumë është si udhëzues, si sugjerues dhe palët po kapen për elementet e saj, për sfera që duken të dobishme në këtë moment për komunikim strategjik. Kosova besoj që ndoshta sheh hapësirë për optimizëm, për faktin se në këtë formulë – ku sipas të gjitha gjasave nuk parashihet njohja e drejtpërdrejtë, por më shumë implicite – ulet edhe presioni për Kosovën për ta bërë ndonjë kompromis të madh në lidhje me Asociacionin [e komunave me shumicë serbe]. Kështu që, ndoshta aty [në dokument] Kosova e sheh një lloj hapësire për një marrëveshje që së brendshmi mund të jetë më e pranueshme”, thotë Maliqi.

“Testim për të definuar zgjidhjen përfundimtare”

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga nënshkrimi Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, janë zhvilluar përgjithësisht bisedimet teknike. Por, sipas tij, dokument propozimi franko-gjerman synon që dialogun ta ngritë në nivelin krejtësisht politik.

“Është lëshuar vetëm si një testim i çështjes- nuk e di se me marrëveshjen e kujt është bërë kjo – pra, të çështjes së statusit, çështjes së definimit të zgjidhjes përfundimtare. Dhe, ajo sillet nëpër opinion. Unë, me sa di, ka mjaft çështje brenda, përndryshe kjo letër do të ishte e padobishme”.

“Së pari, duhet ta dimë se kjo letër bart qëndrimin e Gjermanisë dhe Francës. Për të duhet të deklarohen Prishtina dhe Beogradi, por do të shohim reagime edhe të Britanisë (së Madhe). Do të ishte ideale që një ditë, nga ky proces, të shndërrohet në platformë të përbashkët për negociata”, thekson Janjiq.

Iniciativë apo dokument-propozim?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti, më 10 tetor, ka deklaruar se ekziston “një iniciativë franko-gjermane, e cila dëshiron që t’i japë edhe më shumë fuqi (të dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav) Lajçakut, sikurse që i jep edhe mbështetja e vazhdueshme amerikane”.

“Diskutohen modele të ndryshme. Por, nuk ka diçka përfundimtare dhe aq më pak vendimtare që do të mund të thuhej se ky është propozimi francezo-gjerman dhe rrjedhimisht ‘diskutojeni tash dhe jepni vërejtjet. Më shumë ka, si të them, ide që qarkullojnë, Berlin, Bruksel, Uashington, por edhe Londër, Romë e Paris, si dhe Beograd dhe Prishtinë”, tha Kurti dhe shtoi se për shkak të konfidencialitetit të bisedimeve, nuk mund t’i hedhë në opinion idetë, me të cilat testohen palët nga zyrtarët dhe diplomatët e ndryshëm.

Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina”.

Një ditë më herët, më 9 tetor, Kurti kishte deklaruar se është optimist që në muajt vijues do të mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 8 tetor, kishte thënë se arkitektura e dialogut po ndryshon në esencë, për shkak se ‘kemi në tavolinë propozimin e dy fuqive më të mëdha evropiane, Gjermanisë dhe Francës”.

Franca dhe Gjermania, siç ka theksuar ai, kanë propozuar që Serbia të lejojë Kosovën të anëtarësohet në institucione dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të anëtarësimit të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Për Serbinë, për shkak të Kushtetutës, por jo vetëm për shkak të saj, është e papranueshme që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe kjo do të bartë pasojat e veta”, ka thënë Vuçiq.

Më 9 nëntor, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka thënë se deklarata e Vuçiqit rreth ulëses në OKB për Kosovën nuk është e vërtetë, sepse propozimi francezo-gjerman “është i ndërtuar me një qëllim krejtësisht tjetër” dhe “është vetëm bazë për të biseduar”.

Maliqi: Kosovës nuk i garantohet ulësja në OKB

Njohësit e proceseve politike vlerësojnë se propozimi franko-gjerman mund të shihet “me një dozë të matur të optimizmit”, se mund të lëvizë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi drejt një marrëveshje që zgjidhë kontesti ndërmjet dy vendeve.

Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reforma”.

Agon Maliqi vlerëson se në konstelacionin aktual ndërkombëtar, Serbia nuk ka hapësirë t’i rezistojë presionit të Perëndimit, pa mbështetjen e mjaftueshme të Rusisë, e cila ka pozicion të pas pushtimit të Ukrainës.

Po ashtu, sipas tij, Kosova e ka të pamundur të ecë përpara në integrimet evropiane dhe organizata ndërkombëtare pa mbështetjen e Perëndimit.

Këto situata, siç thotë ai, mund t’i detyrojnë liderët e të dy vendeve që të hapin mundësinë për një proces politik që çon drejt një marrëveshjeje.

“Sfida kryesore e këtij propozimi ndërkombëtar është se ai bazohet në shumë supozime dhe rrethana hipotetike, që kanë të bëjnë sidomos me garancitë e ndërmjetësuesve. Pra, në asnjë rrethanë, sidomos sikurse kjo e sotmja, Kosovës nuk mund t’i garantohet ulësja në OKB, sepse aty nuk është çështja vetëm te Serbia, por aty është Rusia dhe Kina. Ndërkohë, Serbisë nuk mund t’i garantohet përshpejtimi i hyrjes në BE, sepse për hyrje në BE nuk është kushti i Kosovës i vetmi, por ka të bëjë edhe me standardet e qeverisjes dhe me reformat”, vlerëson Maliqi.

Janjiq: Modeli i dy Gjermanive – s’ka ofertë më të mirë

Dushan Janjiq shpreh mendimin se në dokument-propozimin franko-gjerman “nuk ka hapësirë për tregti, siç kalkulon Vuçiqi para opinionit”, se në rast se Serbia pranon propozimin, atëherë i përshpejtohet anëtarësimi në BE.

“Mendoj se ky është fillimi i fushatës që të pranohet ky model. Cili është ky model? Disa e quajnë si modeli i ‘dy Gjermanive’ dhe kjo është e mira e kësaj letre. Mendoj se në këto rrethana as Prishtina dhe as Beogradi nuk do të marrin ofertë më të mirë. E ajo është që Serbia të pranojë ekzistencën e Republikës së Kosovës. Pra, që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës (në organizata ndërkombëtare) dhe të bashkëpunojë me Kosovën, kur kanë interesa të përbashkëta në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara”, thekson Janjiq.

“Modeli i dy Gjermanive” nënkupton marrëveshjen e arritur në vitin 1972 ndërmjet ish-Republikës Federale të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Perëndimore) dhe ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë (që njihej si Gjermania Lindore). Përmes kësaj marrëveshjeje, të dy vendet normalizuan marrëdhëniet, pa e njohur formalisht njëra-tjetrën.

Janjiq thekson se megjithatë, nuk pret që së shpejti të ketë ndonjë takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, përveç në rast se Bashkimi Evropian detyrohet të organizojë një takim të tillë. Shkas për një takim të tillë të detyruar, sipas tij, mund të jenë tensionet eventuale në veri të Kosovë në rast se nuk arrihet një marrëveshje teknike për targat ose nuk shtyhet zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës ka dhënë afat prej 1 shtatorit e deri më 31 tetor që të gjitha automjetet në Kosovë, që kanë targa të lëshuara nga Serbia, me akronimet e vendbanimeve të Kosovës, t’i riregjistrojnë ato me targa RKS (Republika e Kosovës).

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur në Bruksel, në vitin 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar më pas, në vitin 2012, në dialog politik. Qëllimi i dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 18 gusht.

Palët kanë dallime të mëdha sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia ka thënë se dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se çfarë do të nënkuptonte një zgjidhje e tillë.

Maloku: Vilat e politikanëve dhe biznesmenëve, të sekuestruara në Brezovicë

Objekte të ndërtuara në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

RFE/RL

Objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë, janë sekuestruar më 11 tetor në Brezovicë, tha për Radion Evropa e Lirë, prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku.

Sekuestrimi i rreth 100 objekteve u bë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Këto institucione, pas inspektimit të objekteve të ndërtuara në Brezovicë, kanë vlerësuar se këto objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe planin hapësinor për këtë park.

Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast. Ata, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale.

Prokurori Maloku tha se të gjitha objektet e ndërtuar në zonën e dytë të Brezovicës janë sekuestruar përkohësisht.

Sipas Malokut, i cili është edhe prokuror i rastit Brezovica, në këtë zonë nuk lejohet ndërtimi.

“Këto janë kryesisht, vikend-shtëpiza apo vila. Ka qenë edhe një hotel, edhe atë e kemi sekuestruar. Ndërkaq, objektet hoteliere gjenden në zonën e tretë [të Parkut Kombëtar ‘Sharri’] dhe në ditët në vijim do të shikojmë se çfarë do të bëjmë me to”, tha Maloku.

Në mesin e objekteve të sekuestruara janë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër.

Maloku bëri të ditur se autoritetet nuk mund t’i publikojnë emrat e pronarëve të objekteve të sekuestruara, por tha se pasi ata të lajmërohen tek autoritetet për të deklaruar se janë pronarë, prokuroria më pas do t’i bëjë publike emrat.

Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nikolliq, që është zyrtar i lartë i partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dyshohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Maloku tha se lejet e ndërtimit janë lëshuar gjatë kohës sa Nikolliq ka qenë në pushtet.

“Lejet i ka dhënë komuna e Shtërpcës, Drejtoria e Urbanizmit, kryesisht kryetari, tashmë ish-kryetari, sepse pa të asnjë letër nuk është lëshuar”, tha ai.

Prokurori Maloku tha se hetimet për rastin Brezovica po vazhdojnë, duke shtuar se edhe gjatë vitit të ardhshëm do të dërgohen lëndë në gjykata për disa të dyshuar.

Brezovica vlerësohet se është një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e saj të skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.


Send this to a friend