VOAL

VOAL

Një polic i plagosur në veriun e Kosovës

VOA

Policia e Kosovës tha se një pjesëtar i saj është plagosur lehtë në një sulm i armatosur në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.

Në një njoftim të policisë thuhet se në fshatin Serbovc të komunës së Zveçanit, njësitë e policisë “janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM. Si pasojë e incidentit, një pjesëtarë i policisë së Kosovës është lënduar lehtë dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e policisë”.

Policia tha se po kryen hetime por nuk dha më shumë hollësi.

Incidenti ndodhi disa orë pasi policia tha se ka shtuar praninë e saj në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit i cili e cilësoi këtë si “pushtim të veriut” nga Prishtina.

Në një njoftim të policisë thuhet se “përparësi e saj është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, ditëve në vijim do të shtojë praninë policore në veri”.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit, thuhet në njoftim.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla tha se “ditëve të fundit, pas sulmeve të njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor dhe qytetarëve në veri të vendit, rritja e prezencës policore me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët është vlerësuar e domosdoshme”.

Shtimi i pranisë policore në veri, ku nuk ka më policë të përkatësisë kombëtare serbe të cilët braktisën vendet e punës në fillim të muajit nëntor, nxiti reagimin e Beogradit.

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se 300 deri në 350 policë të Kosovës, përfshirë pjesëtarë të forcave të posaçme “kanë pushtuar dhe bllokuar” Mitrovicën e Veriut.

Serbia, tha ai, “do të shqyrtojë dërgimin e 1 mijë forcave të saj të sigurisë” në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, duke ju referuar dy neneve të asaj Rezolute që parashihte kthimin e një numri të personelit ushtarak dhe policor jugosllav për të kryer disa funksione si “ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimin/pastrimi i fushave të minuara; mbajtjen e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtjen e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare”.

Rezoluta përcaktoi edhe mandatin e forcave paqeruajtëse të NATO-s që kujdesen për sigurinë e Kosovës dhe që muajve të fundit kanë shtuar praninë në veriun e vendit, ku ndodhen edhe forcat e policisë së Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Autoritetet vendase e ndërkombëtare nuk e komentuan deklaratën e zyrtarit serb, ndërsa policia tha se në veriun e Mitrovicës po patrullojnë njësitë e rregullta të saj dhe jo njësitë e posaçme. Prania e saj është përqendruar në lagjet me popullsi të përzier në veriun e qytetit.

Incidentet e fundit në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave, që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Situata e krijuar në zonë ka vënë në pikëpyetje mbajtjen e zgjedhjeve dhe autoritetet kanë lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre, gjë që është kërkuar edhe nga diplomatët perëndimorë.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se nuk është koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës.

Presidentja e Kosovës tha se brenda ditësh do të sqarohet se cilat do të jenë veprimet e mëtejshme.

Zgjedhjet u shpallën pas largimit të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës mes mospajtimeve mbi përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia. Procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Vetëvritet i dyshuari për vrasjen e ish gruas në Prishtinë

VOA/Edlira Bllaca

Sokol Haliti, i dyshuar për vrasjen e ish gruas së tij shtatzënë të mërkurën në oborrin e spitaleve në Prishtinë, është vetëvrarë të premten.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Svecla, tha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se policia e gjeti vendndodhjen e tij por me gjithë përpjekjet për të negociuar dorëzimin, ai vrau veten.

Njoftimi u bë i ditur pothuajse në të njëjtën kohë kur në fshatin Llugaxhi, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit, po mbahej ceremonia e varrimit të gruas së vrarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se po vazhdojnë hetimet për të ndriçuar rrethanat dhe motivet e mundshme të vrasjes, ndërsa theksoi se i gjithë zinxhiri përgjegjës institucional duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet.

Nuk mund të merremi me vendimet të cilat i merr gjyqësori, mirëpo më duhet të them me keqardhje që kur vie puna për vetvete po dalin të jenë shumë efikas, për dallim prej lëndëve të panumërta që janë pluhurosur nëpër sirtarët e Pallatit të Drejtësisë e të cilat lëngojnë aty dhe nuk trajtohen as me kohë e as si duhet”, tha ai.

Vrasja e gruas shtatzënë ndodhi pak ditë pasi një burrë dyshohet se vrau gruan e tij me sëpatë në orët e hershme të 25 nëntorit në Prishtinë.

Të dy vrasjet ndodhën në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”. Si pjesë e veprimtarive të kësaj fushate, të premten ministria e Drejtësisë njoftoi se është hartuar kurrikula e parë në vend për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje.

Veprimtaret që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në Kosovë në vazhdimësi kanë tërhequr vërejtjen për mungesën e programeve rehabilituese për kryesit e dhunës me bazë gjinore, që vazhdon të jetë dukuri mjaft e përhapur në Kosovë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se trajnimi i profesionistëve të parë do të nisë këtë muaj, ndërsa nënvizoi se përgjigja ndaj shifrave alarmante të rasteve të dhunës ndaj gruas duhet të jetë shumë sektoriale.

Përgjatë vuajtjes së dënimeve të tyre, flas për ata të cilët shpallen fajtor për këto vepra penale, dhunuesit duhet të kenë trajtim psiko-social përmes ofrimit të programeve adekuate ku edukohen dhe ndryshohen për mirë sjelljet e tyre të papërgjegjshme e të dënueshme. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë me të drejtë në përmirësimin e sjelljeve të atyre individëve që mbahen në qendrat korrektuese gjatë vuajtjes së dënimit”, tha ajo.

Shefi i zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power tha se Kosova me këtë dokument bën një hap para në linjë me Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje.

Kurrikula për trajnimin e profesionistëve në ofrimin e programeve për kryesit e dhunës në familje në Kosovë, lufton dhunën nga një aspekt i ri, duke e trajtuar shkaktarin që është sjellja e dhunshme. Derisa kryesit e dhunës duhet padyshim të mbahen përgjegjës dhe të dënohen për veprat e tyre, është gjithashtu thelbësore që këtu të përfshihet edhe një programi i trajtimit të tyre i cili luan rol shumë të rëndësishëm në dënimin e tyre”, tha ai.

Një nga autoret e këtij dokumenti, Adelina Badivuku, tha se ai përfshin disa shkallë të trajtimit dhe se ndër të tjera programi synon ndërprerjen të rasteve të përsëritshme të dhunës.

Niveli i parë ku do të bëhet vlerësimi, identifikohet modeli i motivimit që e ka një burrë për të ndryshuar sjellje dhe punohet me të që ai të motivohet dhe të fillojë të marrë përgjegjësi për sjelljen e tij. Niveli i dytë i intervenimit kalohet në grupe, pra seanca grupore në të cilat mund të kemi deri në 12 burra dhe të cilat ndërmjetësohen nga dy trajnues të gjinive të ndryshme, që të modelojmë barazinë gjinore para tyre dhe të kenë rastin të dëgjojnë mendimet e një gruaje dhe një burri trajnues”, tha ajo.

Të dhënat e policisë tregojnë se nga janari i këtij viti e deri në muajin tetor, janë shënuar dy mijë e 273 raste të dhunës në familje.

Gruaja e vrarë në Prishtinë kishte urdhër për mbrojtje

RFE/RL

Gjykata Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se gruaja shtatzënë, që është vrarë më 30 nëntor në oborrin e Qendrës Klinike Universitare në Prishtinë, ka pasur urdhër për mbrojtje.

Autoritetet kanë thënë se vrasës ka qenë bashkëshorti i saj, dhe viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.

Sipas vendimit, urdhri për mbrojtje i ishte lëshuar për gjashtë muaj, përkatësisht prej 13 gushtit të këtij viti deri më 13 mars të vitit të ardhshëm.

Sipas Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje, urdhri për mbrojtje lëshohet “me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale këtë vrasje dhe ka thënë se “sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.

“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave”.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë të ditur po ashtu se i dyshuari për kryerjen e vrasjes është shpallur fajtor këtë vit për posedim të paautorizuar të armës dhe ka aktakuzë për veprën penale të kanosjes.

Sipas komunikatës, Gjykata ka refuzuar kërkesën e të pandehurit për hedhje poshtë të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.

“Një grua, bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra para objektit të Gjinekologjisë. Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë, dhe ky rast na tregon sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashkëshortët e tyre”.

Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë rast.

Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.

Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.

Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:

Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999

Mbrojtësit e viktimave: 0800111112

Dështon rezoluta e AAK që kërkon dialog me serbët për rikthim në institucione

RFE/RL

Në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, më 30 nëntor, nuk ka kaluar një rezolutë e propozuar nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që kërkonte veprime të Qeverisë në lidhje me rikthimin e serbëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës.

Qindra serbë të Kosovës nga katër komunat veriore të vendit, që nga fillimi i nëntorit kanë dhënë dorëheqje nga disa institucione të Kosovës, përfshirë Policinë, gjyqësorin, si dhe në nivel politik në komuna dhe në Kuvendin e Kosovës.

Dorëheqjet u bënë në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që kërkonte riregjistrimin e targave të veturave që lëshohen nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës në RKS.

Për këtë, Ramush Haradinaj, lider i AAK-së, e propozoi një rezolutë për votim në Kuvend që ndër tjerash kërkonte që “institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë”.

Një pikë tjetër e kësaj rezolute, e cila mori 21 vota për e 42 kundër, kërkonte edhe mbajtjen e një samiti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë me njohje të ndërsjellë.

Kurti për dorëheqjet e policëve: Duhet të ketë aplikime të reja për punë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit të së mërkurës ku ishte thirrur në interpelancë ka komentuar dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës duke thënë se vakumet duhet mbushur me “aplikime të reja për punë”.

Duke folur specifikisht për dorëheqjet e 578 zyrtarëve policorë që vijnë nga komuniteti serb në Kosovë, ai tha se dorëheqjet janë bërë “për arsye të paqena”.

“Thoshin morale e individuale e teksti i njëjtë për secilin prej tyre”, tha Kurti duke komentuar tekstin, me të cilin kanë dhënë dorëheqje këta zyrtarë.

Kurti tha gjithashtu se “nuk është e vërtetë që në veri të Kosovës nuk ka Polici”, pas dorëheqjes së serbëve.

“Nuk ka ndërtesë të Policisë pa Polici të Kosovës. Policia jonë është atje. Edhe nëpër rrugët atje ka Polici të Kosovës”, tha Kurti.

Ai tha se vazhdimisht bën thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet e Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk mund të bëhet thirrje politike për kthim.

“Aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional”, tha Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 24 nëntor konfirmoi se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të plotësohet kushti i dytë, pra të formohet Asociacioni. Ky Asociacion është dakorduar në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është i papranueshëm për Qeverinë e Kosovës, sepse e sheh atë si trup monoetnik.

Ndaj fjalimit të kryeministrit Kurti reaguan deputetë të opozitës.

Enver Hoxhaj, deputet opozitar nga Partia Demokratike e Kosovës tha se situata në veri të vendit “nuk është vetëm vakum institucional”.

“Është humnerë politike. Aktualisht, nuk ka as institucione shtetërore (në veri), as proces politik për t’i krijuar ato. Situata në veri të vendit ka qenë çdo herë komplekse, por pas 5 nëntorit (dita e nisjes së dorëheqjeve) është një kolaps shtetëror”, tha ai.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu parti opozitare, i kërkoi Kurtit koordinim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

“Kosova duhet të kërkojë marrëveshje finale, jo të mesme, jo fillestare. Duhet të flasë vetëm për njohje të ndërsjellë e jo për implikime të tjera që atakojnë edhe interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe lënë hapësirë për ndonjë interpretim të ri”, theksoi ai.

Më 23 nëntor, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje finale

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit, përmes pjesëmarrjes”.

Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së voni, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë që është e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës, edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa, në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

“Është koha që Serbia përfundimisht të vendosë se në cilin drejtim dëshiron të shkojë. Në drejtim kah Evropa, apo në drejtimin e Moskës? Nuk mund të jesh me të dyja palët”, ka thënë Osmani.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta qysh në verë, për shkak të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Në muajin nëntor, dy vendet kanë arritur marrëveshje për targat, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja parasheh që Kosova të pezullojë planin për riregjistrim të makinave dhe që Serbia të mos lëshojë më targa serbe për qytetarët në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

KQZ-ja certifikon 12 kandidatë për zgjedhjet në veri

RFE/RL

Dymbëdhjetë kandidatë janë certifikuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komunat në veri të Kosovë, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në mbledhjen e mbajtur më 28 nëntor, përveç certifikimit të kandidatëve dhe subjekteve politike ka emëruar edhe Komisionet Komunave të Zgjedhje.

Sipas njoftimit në Lesapoviq janë certifikuar Albulena Behluli-Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleksandar jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës.

Në Zubin Potok janë certifikuar për zgjedhje Izmir Zeqiri nga PDK-ja dhe Flatron Hasani nga LVV-ja. Në këtë komunë nuk ka kandidatë nga partitë serbe.

Në Zveçan, Ilir Peci nga PDK-ja, Fetah Peci nga LVV-ja dhe kandidatja e pavarur Sladjana Pantoviq, do të garojnë për të parin e komunës.

Ndërkaq, në Mitrovicë të Veriut do të garojnë katër kandidatë. Në këtë komunë do të garojë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, Taulant Kelmendi nga PDK-ja, Erden Atiq nga LVV-ja dhe Aleksandar Arsenijoviq nga Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë komune në katër komunat në veri, po mbahen pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë në Prishtinë lidhur me riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, më 5 nëntor njoftoi për dorëheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës, përfshirë ato lokale dhe qendrore.

Po ashtu, më 25 dhjetor është caktuar data për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit.

Ndërkaq, me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për targat më 23 nëntor dhe sipas Bashkimit Evropian, Kosova do t’i japë fund veprimeve të mëtejme për riregjistrimin e makinave me targa serbe, ndërkaq Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

REL: Kuvendet e Shqipërisë dhe Kosovës u bënë bashkë në Tiranë, zotime për bashkëpunim

Jetmira Delia-Kaci

Për nderë të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Tiranë u zhvillua mbledhja e parë e përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se një bashkëpunim më i mirë mes dy vendeve i kontribuon përparimit të bashkësisë shqiptare në Ballkan si dhe e bën rajonin dhe Evropën më të qëndrueshëm.

“Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes nesh , por edhe me vendet fqinje të rajonit”, u shpreh Nikolla.

Ndërkaq Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës u ndal tek rreziku që vjen nga Serbia, duke kërkuar ndihmën e Tiranës zyrtare.

“Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj, që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shtetit tonë, Serbia na lufton nga brenda dhe jashtë, pa zgjedhur mjete, prej diplomacisë deri te financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë”, theksoi Konjufca në fjalën e tij para deputetëve shqiptarë.

Kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti u ndalën tek një shqetësim i përbashkët: nevoja për bashkëpunim dhe jo pengim i njëri-tjetrit

“Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por kalaja e përbashkët, ku e vëmë të gjithë nga një gur. Ne duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit”, tha Kurti duke kërkuar që prioritet të jetë pozita e Kosovës dhe e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe jo pozita vetjake.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, shprehu të njëjtin shqetësim.

“Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por nga ana tjetër nuk janë më mirë në raport me vetveten”, tha Rama.

Rama foli për projektet e përbashkëta mes dy vendeve, duke u ndalur në veçanti tek porti i ri i Durrësit në Porto Romano, që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë. Ai tha se më 12 dhjetor do të prezantohet publikisht ky projekt.

Ndërsa kryeministri Rama përmendi projektet e përbashkët, kryeministri kosovar Albin Kurti vuri theksin tek ajo që është shqetësim i përbashkët i të dyja vendeve, largimi i të rinjve.

Ai pranoi se akoma nuk është bërë sa duhet për t’u kthyer besimin në institucione, që të rinjtë të mendojnë rritjen e fëmijëve në atdheun e tyre, por u shpreh besimplotë se edhe kjo betejë do të fitohet së shpejti.

Mbledhjen e dy kuvendeve e përshëndetën kryetarët e grupeve parlamentare të kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë.

Në këtë seancë të veçantë, kreu i grupit të Partisë Demokratike në Shqipëri, Enkelejd Alibeaj nuk la pa përmendur rezervat dhe kritikat për “Open Balkan”.

Ai tha se edhe nga parlamenti evropian në dokumentin e strategjisë së zgjerimit u vlerësua me rezerva kundërshtuese, si i papërputhshëm me normat evropiane dhe që nuk garanton gjithëpërfshirje.

Për këtë mbledhje që nga palët u quajt historike, në oborrin e Kuvendit ishte hapur një ekspozitë me momentet më të rëndësishme të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, si dhe ishte organizuar një koncert me këngë dhe valle popullore shqiptare.

Derisa kjo është mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë, qeveritë e të dyja vendeve viteve të fundit kanë organizuar disaherë mbledhje të përbashkëta të qeverive.

Aty janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje që për qëllim kanë rritjen e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e ekonomisë.

Shtatëvjeçari nga Kosova fiton vendin e parë në garën ndërkombëtare të matematikës

Molos Gashi, nxënës i klasës së dytë nga Prishtina, ka zënë vendin e parë në një garë internacionale që është zhvilluar në Dubai.

Për këtë ka njoftuar shkolla ku Molosi vijon mësimet “Mehmet Gjevori”, raporton Gazeta Express.

“Molos Gashi, nxënës i klasës ll-1, merr vendin e parë në Dubai në garën internacionale të organizuar nga BRAINOBRAIN ABACUS COMPETITION dhe me pjesëmarrjen e 44 shteteve arrin rezultat të shkëlqyer duke ngritur emrin e shtetit tonë në nivelet më të larta të dijes”, ka njoftuar shkolla.

“Molos Gashi, nxënës i klasës ll-1, merr vendin e parë në Dubai në garën internacionale të organizuar nga BRAINOBRAIN ABACUS COMPETITION dhe me pjesëmarrjen e 44 shteteve arrin rezultat të shkëlqyer duke ngritur emrin e shtetit tonë në nivelet më të larta të dijes”, ka njoftuar shkolla.

Kurti thotë se në Bruksel është arritur dakordim, por jo marrëveshje

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten, para deputetëve të Kuvendit, se të mërkurën në Bruksel nuk ka pasur marrëveshje, por dakordim për targat.

“Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh t’i ndalojmë veprimet reciproke, pra ne nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM, dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian, që më herët quhej franko-gjerman”, tha Kurti në seancën plenare të 24 nëntorit.

Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe, ku sipas BE-së, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa me emra të qyteteve të Kosovës.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe ndërmjet dy vendeve, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Negociatat janë zhvilluar ndërmjet të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

 

Dy ditë më parë, takimi ndërmjet Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për targat, kishte rezultuar pa sukses.

Kurti u tha deputetëve se në takimin e së hënës i ishte ofruar një dokument me 95 fjalë, brenda të cilit propozimi franko-gjerman, apo propozimi evropian për çështjen e marrëveshjes për normalizim, nuk ka qenë i përfshirë.

Ndërsa tani, sipas tij, situata është më ndryshe, ”dhe është shumë mirë që tash gjithçka është përshpejtuar”.

“Dakordimi i mbrëmshm ka një target kryesor dhe kohor për negocim dhe pajtueshmërinë e palëve lidhur me propozimin e BE-së të mbështetur nga Franca dhe Gjermania, e ajo është sa më shpejt dhe jo më vonë sesa fillimi i pranverës së vitit 2023”, tha ai.

Sipas tij, Kosova nuk e ka pranuar asnjë referencë në një marrëveshje konkrete që të përfshihet në tekstin e marrëveshjes së 23 nëntorit.

“Kur kam qenë unë gjatë bisedimeve, të hënën, insistimi më i madh ka qenë që në dakordimin, i cili bëhet deklaratë e Borellit, të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe”, tha Kurti.

“Ata e shohin Asociacionin si thelb të normalizimit, ne e shohim njohjen reciproke si thelb të normalizimit dhe është dallim i madh ndërmjet së hënës dhe së mërkurës”, tha ai.

Për formimin e Asociacionit është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, beson se komunat nuk mund të organizohen sipas parimeve etnike.

Dakordimi i mbrëmshëm, tha Kurti, e vendos procesin e negocimit të planit evropian në parimin ku Serbia dhe Kosova janë palë të barabarta.

Sipas tij, një kornizë e tillë është avancim i fuqishëm në drejtim të faktit që propozimi do të jetë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht e obligueshme dhe me njohjen reciproke në qendër.

Edhe Bislimi ka thënë se pas marrëveshjes së 23 nëntorit, “ne duhet të vazhdojmë bisedimet intensive sa i përket propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.

Presidenti serb, Vuçiq, tha në Beograd më 24 nëntor se marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për targa, është një fitore e vogël taktike “që do të na çojë në presion edhe më të madh”.

Ai shtoi se Beogradi nuk është i interesuar për njohje reciproke me Prishtinën.

Presidentja e Kosovës për takimin e Brukselit të 21 Nëntorit: Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit!

Znj.Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

 

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën:

1. Shkelja e obligimit për shpërbërjen e strukturave paralele ilegale kriminale, ashtu siç kërkohet në Marrëveshjen e vitit 2013. Përkundrazi, këto struktura sot përkrahen, financohen e armatosen nga Vuçiq, me qëllim të sulmit ndaj Kosovës sipas stilit e planit të Putinit;

2. Moszbatimi i Planit të Zbatimit të Marrëveshjes së vitit 2013, ku kërkohet që të dyja palët të miratojnë ligje për amnisti. Deri tani, vetëm Kosova e ka miratuar;

3. Shkelja e obligimeve nga Marrëveshja e vitit 2013, që kanë të bëjnë me mbajtjen e zgjedhjeve, ku Serbia vazhdimisht ka nxitur sulme ndaj partive serbe që nuk konsideroheshin besnike ndaj qeverisë së Serbisë. Kjo është konfirmuar disa herë nga raportet e ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtare të zgjedhjeve;

4. Shkelja e vazhdueshme e pikës 14 të Marrëveshjes, ku kërkohet që Serbia të mos e bllokojë rrugën evropiane të Kosovës;

5. Shkelja e pikave 9, 10 dhe 11 të Marrëveshjes së vitit 2013 ku është paraparë integrimi i serbëve në polici, gjyqësi, etj. Për më tepër, ditët e fundit kemi parë shkelje flagrante të kësaj marrëveshjeje me nënshkrimin e kontratave me institucionet ilegale të Serbisë dhe asnjë reagim të BE-së;

6. Bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për energji për gati 10 vite;

7. Moszbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, nëpërmjet ndalesave, të cilat Serbia ua bënë shumë zyrtarëve e qytetarëve të Kosovës të të gjitha profileve që të hyjnë në Serbi, mospranimin e dokumenteve të lëshuara nga Kosova, etj;

8. Moszbatimi i marrëveshjes për drejtësinë, nëpërmjet vendosjes së vulave në dokumentet origjinale të gjykatave dhe organeve të tjera të Kosovës me mbishkrimin “Republika e Serbisë –Kosova dhe Metohija –nën administrimin e OKB-së dhe Rezoluta 1244.”;

9. Moszbatimi i Marrëveshjes për Zyrat Ndërlidhëse duke mos lejuar zgjerimin e stafit të zyrave ndërlidhëse ashtu siç ishin marrë vesh palët;

10. Shkelja e marrëveshjes për dogana, ku Serbia ende përdorë vulat paralele doganore etj;

11. Shkelja e marrëveshjes për kadastra, ku nuk ka asnjë përparim në obligimet që i ka Serbia për t’i dorëzuar dokumentet origjinale të kadastrave;

12. Shkelja e marrëveshjes për diploma, në të cilën poashtu nuk ka asnjë përparim nga ana e Serbisë;

13. Shkelja e marrëveshjes për urën e Ibrit, duke nxitur strukturat ilegale të vazhdojnë me aktivitete të paligjshme duke bllokuar qarkullimin e automjeteve;

14. Shkelja e marrëveshjes për përfaqësim rajonal, duke tentuar të bllokojë pjesëmarrjen e Kosovës e duke keqinterpretuar marrëveshjen për fusnotën në thuaja secilin organizim rajonal apo të Bashkimit Evropian, qofshin ato takime të nivelit qeveritar, parlamentar apo të tjera;

15. Shkelja e obligimeve për funksionalizimin e pikave kufitare;

Lista është më e gjatë se kaq.

Paqja dhe stabiliteti nuk mund të arrihen duke akomoduar ata që kanë ambicie hegjemoniste. Por, Kosova asnjëherë nuk do të heq dorë nga qëllimi i qartë për paqe e stabilitet afatgjatë si dhe rend e ligj në tërë territorin e saj.

21 Nëntor 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas takimeve në Bruksel

Qeveria e Republikës së Kosovës

Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas takimeve në Bruksel:

Patëm sot tri takime trilaterale dhe tri takime bilaterale përgjatë tetë orëve këtu në Bruksel, me presidentin e Serbisë në ndërmjetësimin apo lehtësimin e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell dhe emisarin special për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, z. Miroslav Lajcak.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua në njërën anë çështja marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në anën tjetër çështjet aktuale sepse kjo është mënyra se si nga takimi i 18 gushtit që kemi pasur këtu në Bruksel organizohen bisedimet në vijim. Pra, një herë marrëveshja finale dhe më pastaj edhe çështjet aktuale. Kur kemi ardhur në Bruksel kemi ardhur me një propozim konkret për një deklaratë të përbashkët, e cila nënkuptonte në paragrafin e parë zotimin që të trajtohet me urgjencë propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre takimeve që kemi pasur sot, kemi qenë afër dakordimit, mirëpo assesi nuk u pranua nga pala serbe çështja e propozimit të Bashkimit Evropian, sepse ata nuk e konsiderojnë atë propozim si bazë të mirë për të zhvilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, siç këtë e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës. Kemi qenë afër dakordimit në kuptimin që ne ishim pajtuar, që fazën në vijim të zbatimit të vendimit tonë për çështjen e konvertimit të targave nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës ta pezullojmë, pra gjobat, të vazhdojmë vetëm me ato qortimet, ndërkaq në anën tjetër Serbia të pushojë me emitimin, me prodhimin, me lëshimin e targave në Serbi që kanë për denominim qytetet e Kosovës.

Por, natyrisht kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë se për çfarë jemi ftuar, pra dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të plotë të marrëdhënieve. E në propozimin që na e kanë sjellë neve, për deklaratën e përbashkët z. Borrell dhe Lajçak, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra që ne po vijmë këtu, në Bruksel, për t’u marrë vesh drejt një ecje të re për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023. Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, z. Josep Borrell, praktikisht hoqi dori nga ky afati i marsit 2023 dhe nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po them me keqardhje, sepse vet e kanë propozuar marsin e vitit 2023, dhe në anën tjetër gjithashtu propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris, në kuadër të Forumit për Paqe, z. Joseph Borrell tha që propozimi nuk është franko-gjerman, propozimi është i Bashkimit Evropian por i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Në rregull pra, edhe ne ashtu do ta quajmë, propozimi i Bashkimit Evropian. Mirëpo sot, po them me keqardhje ai hoqi dorë nga propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë jam i gatshëm që të vijë këtu, të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë; marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale që janë të natyrave të ndryshme, edhe si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën. Pra, nuk mund të jemi të papërgjegjshëm të mos i trajtojmë çështjet aktuale, por edhe nuk mund të shndërrohem në lider shtetëror që merren vetëm me çështje të targave, e nuk diskutojmë për normalizim të marrëdhënieve. Andaj, edhe jemi në këtë situatë çfarë ndodhemi tani dhe unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rri prapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trilaterale, nuk kemi ende një marrëveshje.

Faleminderit shumë.

Besian Mustafa e përkujton me fjalë prekëse babanë e tij në 22 vjetorin e vrasjes

Deputeti i LDK’së, Besian Mustafa e ka kujtuar babanë e tij të ndjerë, Xhemail Mustafën në 22-vjetorin e vrasjes së tij.

Deputeti i LDK’së përmes një shkrimi në Facebook tha se e përkujton gjithmonë babanë e tij kur diskutonin mbi historinë shqiptare.

“Bab, të kujtoj kështu të përhumbur në mendime të thella kur papritmas fikje cigaren dhe vazhdonim diskutimin mbi historinë shqiptare, aty ku e kishim lënë javë më parë… Të kujtoj si i nxitur nga historia e kombit tonë me urgjencë e këmbëngulje të bashkëthemeloje një lëvizje që buronte nga populli, për popullin. Një lëvizje për të nxjerrë popullin shqiptar në Ballkan nga errësira dhe për ta orientuar në drejtim e saj të natyrishëm euro-atlantik. Një lëvizje që bashkonte të gjithë shqiptarët drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë”.

Ai po ashtu tha se kur do ta sheh babanë e tij përsëri do ta vazhdojmë diskutimin mbi historinë e kombit shqiptar, aty ku thotë se e lanë 22 vite më parë.

“Të kujtoj si misionar që pikëpamjet tona të ndryshme politike, fetare, socio-ekonomike, etj. i bashkonte në përballjen tonë kombëtare me fatin e ligë që kishim pasur. Ky mision yti mbetet yll polar për jetën time.

Kur të të shoh përsëri do t’vazhdojmë diskutimin mbi historinë e kombit tonë… aty ku e lam 22 vite më parë”.

Deklarata e Kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti pas takimit të Brukselit: Me keqardhje Josep Borell hoqi dorë nga propozimi i BE !

Deklarata e Kryeministrit të Kosovës z.Albin Kurti pas takimit të Brukselit: Me keqardhje Josep Borell hoqi dorë nga propozimi i BE !

Policia: Gjobitja për shoferët me targa ilegale serbe nis nga 22 nëntori

RFE/RL

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se edhe më datën 21 nëntor do të vazhdojë masa e qortimit të shoferëve me targa ilegale serbe, ndërkaq më 22 nëntor nis shqiptimi i gjobave.

Shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh, sipas Policisë do të zgjatë deri me 21 janar 2023.

Deri më 20 nëntor janë shqiptuar rreth 1.740 qortime, për shoferët e makinave me targa ilegale serbe.

Për çështjen e planit të qeverisë për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq kanë konfirmuar takimin.

Serbët në komunat veriore të Kosovës kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjoba, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e qeverisë për targa.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza .

Faza e parë përfshiu qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Nga Italia dhe Polonia trupa të EULEX-it zbarkojnë në veri të Kosovës

Në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore të vendit. Ndërkohë, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme, njofton RTK.

Nuk kanë mbetur edhe shumë orë deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për shqiptimin e gjobave për qytetarët që në veturat e tyre bartin targa ilegale, KM në vend të atyre legale, RKS.

Derisa qytetarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se nuk pajtohen me zëvendësimin e targave, Qeveria e Kosovës  është shprehur e vendosur në zbatimin e këtij vendimi.

E serbët lokalë kanë paralajmëruar se me shqiptimin e gjobës së parë, do të nisin rezistencën, duke mos treguar në çfarë forme.

Pikërisht, kundërshtimi për shqiptimin e masave bëri që drejtori i policisë në veri të shkarkohet, që pasoi me dorëheqjen e kryetarëve të komunave, policëve, gjyqtarëve e prokurorëve, asamblistëve, doganierëve e shumë zyrtarëve të tjerë serb.

Duke parë situatën, në Kosovë së fundmi zbarkuan trupa të EULEX-it nga Italia e Polonia, të cilët po patrullojnë në komunat veriore.

E komandanti i 25 karabinierëve italian që erdhën së fundmi në Kosovë, Mariano Bastanza thotë se tani po monitorojnë situatën.

“Ne jemi këtu për të mbështetur mandatin e misionit të EULEX-it që do të thotë të ndihmojmë të gjitha autoritetet dhe popullin e Kosovës për të përmirësuar gjendjen e tyre aktuale, e cila mbetet e ndjeshme, veçanërisht në veri”, thotë Mariano Bastanza, komandant italian. “Po, le të themi se duhet vetëm të monitorojmë, deri tani, situatën”.

Ai thotë se po e mbështesin Policinë e Kosovës.

 

“Sepse ne kemi disa informacione se çfarë po ndodh dhe situata është ende e ndjeshme”, tregon Bastanza. “Ne jemi këtu për të mbështetur, në thelb, policinë e Kosovës – dhe autoritetet. Këshillimi i tyre dhe monitorimi i situatës – ky është mandati ynë deri më tani”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po përpiqen për të gjetur një zgjidhje para të hënës kur edhe hyn në fuqi masa e shqiptimit të gjobave për qytetarët me targa ilegale.

Për këtë, të premten, BE ftoi në një takim palën kosovare dhe atë serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas paralajmërimeve, pritet të takohen të hënën në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për të gjetur zgjidhje në lidhje me këtë çështje.

Chollet bisedon me Kurtin për shtyrjen e gjobave për targat

RFE/RL

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha të premten në mbrëmje se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shmangien e përshkallëzimit të mëtejmë, shtyrjen e gjobave për targat, mbajtjen e derës së hapur për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe përqendrimin në bisedimet për normalizimin e raporteve me Serbinë”.

Chollet shkroi në Twitter se kjo është “rruga më e mirë për çuarjen përpara të integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”.

Më herët të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Twitter se ka biseduar me Chollet “për domosdoshmërinë e një marrëveshjeje të plotë të normalizimit me Serbinë me njohjen e ndërsjellë në qendër, me përqendrim në situatën e sigurisë në Kosovë së bashku me sundimin e ligjit”.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës, në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Nga 1 nëntori Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave. Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme. Më 21 nëntor pritet të hyjë në fuqi faza e dytë – shqiptimi i gjobës prej 150 eurosh.

Serbia, si dhe popullata lokale serbe në veri janë duke e kundërshtuar këtë vendim dhe insistojnë në targa neutrale – KS.

Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.

Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, palët janë ftuar për të diskutuar të dielën pasdite, ose më së voni të hënën në mëngjes.

As Qeveria e Kosovës, as Presidenca e Serbisë, nuk kanë konfirmuar nëse do të jenë pjesë e takimit.

Por, zhvillimin e negociatave e ka konfirmuar edhe Kurti më 18 nëntor.

Ai ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.

Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.

Si po zëvendësohen serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës?

Ish-kryetarja e Gjykatës Liliana Stevanoviq dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikolla Kabashiq me gjyqtarë dhe punëtorë administrativ pasi kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Doruntina Baliu

Institucionet e ndryshme në Kosovë kanë nisur punën në mbulimin e detyrave të qytetarëve serbë që u dorëhoqën masivisht.

Qindra qytetarë serbë të Kosovës, kryesisht nga katër komunat veriore të vendit, kanë hequr dorë nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës që nga 7 nëntori, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave.

Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.

Edhe përfaqësuesit politikë në nivel lokal u dorëhoqën duke çuar në nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Po ashtu, edhe 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës u dorëhoqën. Zëvendësimi i tyre u bë të mërkurën, më 17 nëntor.

Radio Evropa e Lirë ka mbledhur të dhëna nga institucionet, të cilat janë përballur me dorëheqje të stafit në lidhje me shifrat e dorëheqjeve dhe planet për zëvendësimin e këtyre punëtorëve.

Deri më tani, sipas të dhënave nga institucionet nuk janë hapur konkurse për plotësimin e vendeve nga jashtë, por në shumicë janë bërë rialokime të stafit ekzistues për pozitat që kanë mbetur të zbrazura.

Policia: Zëvendësim gradual

Ministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media, më 7 nëntor, deklaroi se dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Policia e Kosovës ka thënë se pas dorëheqjeve “do të rriten gradualisht kapacitetet policore me zyrtarë të rendit publik, në numër të mjaftueshëm duke u bazuar në nevojat dhe vlerësimet operacionale”.

Ata nuk kanë sqaruar më tej se a do të hapin konkurs të ri në një të ardhme të afërt për zëvendësimin e policëve në atë zonë.

“Policia ka kapacitete të mjaftueshme policore dhe veprimet do t’i ndërmarrë konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve në të gjitha rastet që paraqiten”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Prokuroria: Transfere prokurorësh

Dhjetë prokurorë e 22 punëtorë të administratës, më 7 nëntor dhanë dorëheqje ga Prokuroria.

Kjo Prokurori përfshin territorin e Mitrovicës së Jugut, të Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, Skenderajt dhe Vushtrrisë.

Ismet Ujkani, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, tha për Radion Evropa e Lirë se dorëheqjet nga ky institucion, “e kanë bërë më të vështirë punën”.

Ai ka treguar se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) që është përgjegjës për rekrutimet e prokurorëve, e ka ndihmuar këtë prokurori me transfere nga jashtë.

“Aktualisht, janë transferuar tre prokurorë prej prokurorive tjera. Prej Prokurorisë së Ferizajit një dhe prej Prokurorisë së Prishtinës”, ka thënë Ujkani.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a do të ketë konkurs për zëvendësimin e prokurorëve, duke thënë se “për çdo veprim që do të merret në lidhje me situatën e krijuar, opinioni publik do të njoftohet me kohë”.

Çfarë thotë ligji për dorëheqjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve?

Me dorëheqjen eventuale të gjykatësve dhe prokurorëve, atyre edhe ligjërisht u përfundon mandati.

Për të krijuar efekte juridike, dorëheqja e një prokurori apo gjyqtari fillimisht duhet të miratohet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe përkatësisht Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pas kësaj, Këshilli e dërgon vendimin për lirimin nga puna e gjyqtarit te Presidenca e Kosovës.

Presidenca, brenda 30 ditësh duhet të nxjerrë dekretin për lirimin nga detyra e prokurorit.

E njëjta procedurë vlen edhe për dorëheqjet e gjyqtarëve.

Gjyqësori: Riorganizim stafi brenda gjykatës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes se sa është numri total i të dorëhequrve nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Megjithatë, Bekim Veliqi, nënkryetar i Gjykatës në Mitrovicë tha për REL-in se numri i të dorëhequrve nga gjykata dhe degët e saj arrin në 130.

“I gjithë stafi (serb) që ka qenë, të gjithë kanë dhënë dorëheqje”, tha Veliqi.

Ndër të dorëhequrit është edhe kryetarja e kësaj gjykate, Lilana Stevanoviq.

Nënkryetari Veliqi tha për REL-in se aktualisht kanë bërë vetëm riorganizim të brendshëm për të mundësuar funksionimin e gjykatës.

“Ne jemi riorganizuar vetë si gjykatë, sipas obligimit që na ka rrjedhë nga mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 7 nëntor. Kemi bërë lëvizje të gjyqtarëve brenda gjykatës”, sqaroi Veliqi.

Ai theksoi se KGJK-ja e ka caktuar një koordinator që në komunikim me Gjykatën e Mitrovicës, do të përcaktojnë nëse duhet t’i transferojnë lëndët nëpër gjykata të tjera të Kosovës.

“Ne, si gjykatë, jemi të ngarkuar me lëndë të krimeve të rënda. I kemi diku 1400 raste në krime të rënda”, tregoi Veliqi.

Serbët ishin integruar në sistemin e drejtësisë dhe atë të rendit, pasi Kosova dhe Serbia më 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, kishin arritur marrëveshje për një gjë të tillë.

Dogana rialokoi stafin

Me dorëheqje u përball edhe Dogana e Kosovës, nga zyrtarë që punonin në zonat kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.

Nga Dogana i kanë thënë REL-it se 11 zyrtarë janë dorëhequr.

“Nëntë nga këta zyrtarë janë të nacionalitetit serb dhe dy boshnjakë”, thuhet në përgjigjen e Doganës.

Sipas përgjigjes së tyre, Dogana ka alokuar staf shtesë në pikëkalimet kufitare për t’i zëvendësuar personat e larguar.

As Dogana nuk i është përgjigjur pyetjes nëse pritet të hapet konkurs për zëvendësimin e zyrtarëve të dorëhequr.

*Video: Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri

KQZ: Ende nuk dihet si do të zëvendësohen të dorëhequrit

Në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), për secilën komunë caktohet nga një udhëheqës i asaj që quhet Komision Komunal i Zgjedhjeve (KKZ).

Sipas Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme, KKZ-ja është organ përgjegjës për zbatimin e aktiviteteve zgjedhore brenda territorit të komunës.

KKZ-të përbëhen nga kryesuesi që është i punësuar nga KQZ-ja, si dhe anëtarët që nominohen nga subjektet politike që kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet nacionale, nëse i nënshtrohen pragut zgjedhor.

Në vazhdën e dorëheqjeve, në katër komunat e veriut, dorëheqje dhanë edhe katër kryesuesit e KKZ-ve në ato katër komuna.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke e trajtuar këtë çështje dhe së shpejti do të kemi një njoftim se si do të procedojmë në këtë drejtim”, kanë thënë nga KQZ-ja për REL-in.

KQZ-ja tha se gjithashtu, është në fazën e ndërtimit të trupave zgjedhore, konkretisht Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Për këtë qëllim, KQZ-ja u ka dërguar ftesë subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës që t’i dorëzojnë propozimet e tyre për nominimin e anëtarëve në këto komisione komunale deri më 20 nëntor, në orën 16:00”, thuhet ndër tjerash në përgjigjen e KQZ-së.

Kuvendi i Kosovës

Procedura e zëvendësimit ka përfunduar për dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – të cilët dhanë dorëheqje në javën e parë të nëntorit.

Të mërkurën, dhjetë deputetë të rinj janë betuar në Kuvendin e Kosovës duke marrë mandatet për të zëvendësuar deputetët e dorëhequr.

Në Kuvendin e Kosovës u betuan nëntë deputetë të Listës Serbe që janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe.

Ndërkaq mandat mori edhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan në Kuvendin e Kosovës për të “verifikuar teknikisht mandatet e tyre” dhe “për t’i mbajtur ato në duar të sigurta”.

“Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Komunat e Kosovës në zgjedhje

Presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet lokale për katër komunat veriore të vendit, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Në valën e dorëheqjeve të serbëve ishin edhe Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit, Srdjan Vuloviq, kryetar i Zubin Potokut, Dragisha Milloviq, kryetar i Zveçanit, si dhe Millan Radojeviq, kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Dorëheqje dhanë edhe anëtarët e kuvendeve komunale nga Lista Serbe që janë shumicë në secilën prej katër komunave veriore.

Ligji për zgjedhje parasheh që secili anëtar i Kuvendit Komunal që jep dorëheqje, duhet të zëvendësohet, por institucionet nuk kanë sqaruar se si do të bëhet zëvendësimi i këtyre mandateve tani për tani.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje se sa shërbyes civilë brenda këtyre administrative komunale janë dorëhequr dhe si pritet të vazhdojë funksionimi i tyre tutje.

ATK-ja dhe AVUK-i pa dorëheqje

Jo të gjitha institucionet kosovare që kanë të punësuar të komunitetit serb nga komunat veriore, u përballën me dorëheqje.

Administrata Tatimore e Kosovës ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka gjithsej 16 të punësuar nga komuniteti serb në zonën e Mitrovicës së Veriut.

“Prej tyre, tetë janë inspektorë në drejtorinë rajonale të ATK-së në Mitrovicë, si dhe tetë të tjerë në Departamentin e Mbledhjes së Detyrueshme në Prishtinë”, ka thënë ATK-ja.

Megjithatë, ky institucion deri më tani nuk ka pranuar asnjë dorëheqje.
“Në rast se do të kemi dorëheqje, do të tentojmë të mobilizohemi, duke zëvendësuar me inspektorë nga regjionet tjera, në mënyrë që mos të kemi ndalim të aktiviteteve”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se ka të punësuar 17 zyrtarë të komunitetit serb dhe prej tyre “14 janë nga komunat veriore”.

“Deri më tash nuk kemi pranuar asnjë njoftim apo paralajmërim për dorëheqje nga ana e tyre”, ka thënë AUV për Radion Evropa e Lirë.

“Problemi që kërkon zgjidhje politike”

Albert Krasniqi, nga Organizata Demokraci Plus (D+) mendon se zëvendësimi i të larguarve nga institucionet e Kosovës dhe sidomos në nivel politik, duhet të bëhet me kujdes.

“Është vështirë tani që institucionet e Kosovës të gjejnë zgjidhje përmes një rruge juridike sepse i gjithë ky problem kërkon një zgjidhje politike, në mënyrë që përfaqësimi i komunitetit serb në institucionet e Kosovës të jetë përmbajtësor”, thotë ai.

Krasniqi thotë se në strukturat e sigurisë si dorëheqjet në Polici, “‘do të jetë një proces më i gjatë i zëvendësimit”.

Ndërkohë, sipas Krasniqit, ftesa për serbët që t’i marrin ulëset në përfaqësim politik sikurse në Kuvendin e Kosovës, duhet bërë duke pasur parasysh edhe sigurinë e tyre.

“Në institucionet tjera si në Kuvendin e Kosovës, është me rëndësi që edhe ata që i marrin këto ulëse, të mos përballen me presion”, thotë ai.

Ndërkohë, Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, për REL-in ka thënë më 15 nëntor se zgjedhjet parakohshme në veri mund të organizohen, porse ato nuk do të kenë legjitimitet pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.

Dorëheqjet e serbëve erdhën në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

 

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targa RKS, Republika e Kosovës.

Faza e dytë do të zbatohet nga 21 nëntori dhe parasheh gjoba deri në 150 euro për të gjithë shoferët e automjeteve me targa ilegale serbe.

Analistët: Koha për Qeverinë Kurti t’i dëgjojë aleatët

Luljeta Krasniqi – Veseli

Shtyrja e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe do t’i ulte tensionet mes Kosovës dhe Serbisë dhe do të siguronte marrëveshje finale mes tyre, thonë analistë të çështjeve politike në Kosovë.

Partitë opozitare, ndërkohë, i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të ketë koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë në lidhje me këtë çështje.

Por, me gjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së për ta shtyrë vendimin për targat për dhjetë muaj, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e tij në faza më 1 nëntor.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve që ngasin makina me targa të paligjshme; e dyta gjobën prej 150 eurosh dhe e treta shpërndarjen e targave të përkohshme.

Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori.

Kjo, pasi vendimi për targat ka tensionuar situatën në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.

Shumica e tyre i kundërshtojnë targat RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shteti i Kosovës është në krizë.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe.

 

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”.

Ai tha se nuk e di se çka do të ndodhë më 21 nëntor, sepse “jemi në bisedime”.

Shtyrja e vendimit ul tensionet në veri

Analistët politikë thonë se Qeveria e Kosovës duhet t’i trajtojë Shtetet e Bashkuara si partnere strategjike dhe t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.

Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vendim i Kosovës do të ishte mirë të merrej në mënyrë të koordinuar jo vetëm me SHBA-në, por edhe me BE-në.

“Do të duhej të diskutohej se çka ka SHBA-ja në plan të bëjë gjatë periudhës 10-mujore. Nëse [kjo periudhë] është për ta përgatitur terrenin dhe Kosovën për marrëveshje finale [me Serbinë], atëherë do të ishte mirë që Kosova ta diskutonte në mënyrë strategjike atë plan”, thotë Emini.

Afati prej dhjetë muajsh, shton Emini, ka mundur të hapte një derë për Kosovën që t’i zgjidhte përfundimisht problemet me Serbinë.

Dy vendet, me ndërmjetësimin e BE-së, janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Pritjet janë që ato të përfundojnë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Por, pavarësisht disa marrëveshjeve të arritura, qëndrimet e dy palëve mbeten larg.

Emini thotë se tensionet që ka krijuar çështja e targave, e kanë sjellë Kosovën në periudhën e paradialogut me Serbinë.

“Po duket që kryeministri Kurti, i cili nuk i ka negociuar deri tash marrëveshjet me Serbinë dhe ka qenë i pakënaqur me ato marrëveshje, sikur po e kthen në pikën zero [dialogun], për ta filluar dhe për ta udhëhequr vetë, siç dëshiron vetë”, thotë Emini.

Sipas saj, nuk zhbëhet një proces, i cili është zhvilluar mbi dhjetë vjet.

Ajo thotë se marrëveshjet e arritura me Serbinë gjatë viteve, duhet të zbatohen, pasi Kosova është zotuar për zbatimin e tyre.

Sipas Eminit, Kosova nuk mund të kthehet në pikën zero, sepse, siç thotë, “nuk dihet se si do të jetë elita politike në SHBA pas dy vjetësh” dhe “nuk dihet se si do të jetë BE-ja pas luftës në Ukrainë”.

“Humbja e këtij momentumi është e dëmshme për Kosovën dhe nuk po duket që ka ndonjë plan B, përveç bllokadës. Kjo i kushton shumë më shumë Kosovës sesa Serbisë”, konsideron Emini.

Situata e tensionuar në veri nuk zgjidhet pa marrëveshje

Drejtori i organizatës joqeveritare, Çohu, Arton Demhasaj, thotë se situata e krijuar pas fillimit të zbatimit të planit për targa dhe largimit të serbëve nga institucionet, do të pamundësojë funksionimin normal në pjesën veriore të Kosovës.

 

Sipas tij, as zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri – të cilat u caktuan për datën 18 dhjetor, pas dorëheqjes së kryetarëve të deritashëm serbë – nuk do të mund të realizohen pa u arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Duke parë situatën momentale, mendoj se Qeveria duhet të reflektojë dhe t’i marrë parasysh kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë, sidomos të Uashingtonit, dhe ta shtyjë zbatimin e vendimit për targa për aq kohë sa është kërkuar nga SHBA-ja”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.

Shtyrja e zbatimit të vendimit për targa, thotë ai, është mundësi për të arritur marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe, njëkohësisht, të mos ketë tensione më të mëdha në veri.

Opozita: Kurti po merret me çështje teknike

Ish-ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, njëherësh nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër, do të ishte shumë më e rëndësishme dhe e vlefshme sesa çështja e targave.

“Në kohën kur aleatët tanë strategjikë po na kërkojnë ta shfrytëzojmë momentumin gjeopolitik për të arritur marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Kurti ka degraduar procesin dhe po vazhdon të merret me çështje teknike… Nëse asgjë tjetër, lufta në Ukrainë – agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë – na ka mësuar se aleancat janë po aq të rëndësishme sa sovraniteti”, thotë Çitaku, duke shtuar se Kurti ka zgjedhur t’i injorojë rekomandimet e aleatëve amerikanë.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti tjetër në opozitë, ndodhet për vizitë zyrtare në SHBA. Në një postim në Facebook të martën, ai shkroi se ka biseduar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për situatën në Kosovë.

Abdixhiku tha se ka shprehur shqetësimin e tij për shkallën, në të cilën, siç u shpreh, “institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane”.

Sipas Abdixhikut, koordinimi i ngushtë i institucioneve të Kosovës me SHBA-në dhe me partnerët tjerë është garanci për kapërcimin e të gjitha sfidave.

Ditë më parë, lideri i partisë tjetër opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti një rezolutë prej pesë pikash për, siç tha, situatën e krijuar në veri të Kosovës nga vendimi i Qeverisë për targat.

Pikë e parë e kësaj rezolute, e cila pritet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se është shtyrja e menjëhershme e vendimit për targa deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është nga më të rëndat në këta 22 vjet [pas luftës]”, tha Haradinaj.

Serbët në veri kanë nisur të marrin pjesë në institucionet e Kosovës pas marrëveshjes së parë që kanë arritur Kosova dhe Serbia për normalizimin e marrëdhënieve, në vitin 2013.

Lista Serbe, partia që deri më tash ka mbajtur pushtetin në komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – ka thënë se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

KQZ: Kryetarët në Veri mund të zgjedhen edhe me pjesëmarrje të ulët të votuesve

Pavarësisht pjesëmarrjes së ulët ose jo të votuesve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore, mund të zgjidhen kryetarët e rinj në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kështu çfarëdo rezultati në zgjedhjet e 18 dhjetorit, ato do të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës.

Pas braktisjes së institucioneve të Kosovës, qëndrimi zyrtar i Listës Serbe deri më tani është se ky subjekt nuk do të merr pjesë në këto zgjedhje. Po kështu skeptike janë shprehur edhe subjektet tjera politike nga komuniteti serb.

Megjithatë, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në bazë të ligjeve në fuqi as çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje nuk është e kufizuar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje në një komunë në mënyrë që rezultati të mund të certifikohet nga KQZ-ja.

“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale nuk e kufizojnë se sa duhet të jetë pjesëmarrja e votuesve në një komunë të caktuar, në mënyrë që pastaj rezultati të mund të certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Elezi.

Zëdhënësi Elezi bëri të ditur se për zgjedhjet në veri, fletëvotimi për zgjedhjen e një kryetari mund të ketë edhe vetëm një kandidat.

“As çështja e numrit të kandidatëve të certifikuar nuk është e kufizuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe as në Ligjin për zgjedhjet lokale. Pra, fletëvotimi mund të ketë edhe vetëm një kandidat, i cili certifikohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të një komune të caktuar”, tha ai.

Elezi si shembull përmend zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, për kryetar të komunës së Ranillugut ku ka pasur vetëm një kandidat në fletëvotim.

“Rast të tillë ne kemi pasur në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2021, pra për zgjedhjet për kryetar të komunës së Ranillugut, kemi pasur vetëm një kandidat në fletëvotim”, thekson ai.

Pas dorëheqjeve të katër kryetarëve nga radhët e komunitetit serbë në katër komunat veriore, presidentja e Kosovës ka shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme më 18 dhjetor për Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan./KP

Liberalizimi i vizave për Kosovën- Nuk kalon propozimi i Çekisë, e kundërshton Spanja

Pasditen e 16 nëntorit skadoi afati për vendet e BE-së që me të ashtuquajturën procedurë të heshtur, t’i paraqesin vërejtjet e tyre në propozimin e Çekisë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Nga burimet diplomatike në Bruksel mësohet se “së paku dy shtete” e ndërpenë këtë procedurë dhe penguan që propozimi të marrë dritën e gjelbër.

Sipas burimeve, Spanja ishte ajo që paraqiti vërejtje, ndërsa disa shtete të tjera kërkuan më shumë sqarime.

Propozimi i Çekisë, vend që aktualisht udhëheq Presidencën e BE-së, ishte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhej me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS, siç kërkoi Franca, por njëherësh të caktohej edhe data e fuqizimit të vendimit: “jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023”.

Burimet diplomatike, megjithatë, thonë se situata e krijuar nuk do të thotë se propozimi çek nuk do të kalojë as në të ardhmen.

Tani pritet që Presidenca çeke, në takime dypalëshe me vendet që paraqitën vërejtje, t’i sqarojë disa çështje teknike.

Sipas burimeve, po ashtu synohet që propozimi të kalojë në nivel më të lartë, atë të ambasadorëve, para fundit të këtij viti.

Spanja, e cila do të marrë udhëheqjen e Presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023, sipas burimeve, do të preferonte që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për Kosovën të shtyhet për një muaj, përkatësisht më 1 janar të vitit 2024. Arsyet për këtë nuk janë të qarta.

Diplomatët në BE, megjithatë, besojnë se Presidenca çeke, gjatë dy javëve të ardhshme, do të arrijë pajtimin e vendeve anëtare për miratimin e propozimit të saj.

Mësohet se edhe Sllovakia – që sikurse Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës – kërkoi “disa sqarime” rreth propozimit çek./REL/

“Lulja e Vlorës” e Anna Kohen prezantohet në Prishtinë Nga Iliriana Pylla

 

“Lulja e Vlorës”, thotë ajo, është një dhuratë për brezat e ardhshëm të familjes, dhe një mënyrë për të nderuar familjen shqiptare që strehoi familjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Kështu më tha Anna, në shtrëngimin e parë të duarve që kishim në hapësirat e bibliotekës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, gjatë promovimit të librit të saj, ” Lulja e Vlorës”.

Me një shqipe të rrjedhshme, të pastër dhe me një shikim prej gruaje fisnike e filantrope, Anna e konsideron veten hebreje shqiptare.

“Mendova për nipërit e mbesat e mia, doja që ata të dinin se prej nga vij, historinë e jetës sime, sepse mua vetë nuk më kishin lënë kujtime, nuk më kishte thënë askush asgjë për gjyshërit, të cilët u vranë dhe u morën gjatë Holokaustit nga Janina e Greqisë. Pra doja që fëmijët dhe nipërit dhe mbesat e mia të dinin të gjithë historinë. Prandaj fillova të shkruaj historinë time për nipërit dhe mbesat e mia”, tha zonja Kohen para audiencës në Prishtinë.

“Unë, vajzë hebreje në Shqipëri, isha shumë krenare. Shoqet e mia më të ngushta, ishin njëra e krishterë dhe tjetra myslimane. Komunikonim shumë mirë me njëra-tjetrën edhe pse kishim besime të ndryshme. Por ne, hebrenjtë e Vlorës e praktikonim fenë tonë fshehtas Sigurimit. Neve shteti shqiptar kurrë nuk na dha nënshtetësinë”, vijoi ajo, gjatë prezantimit.

“Megjithatë, Vlora është qyteti im i lindjes. Vlora është e bukur dhe ka një histori me hebrenjtë që përmendet në libër dhe që shumë njerëz mund të mos e njohin. Unë kam lindur në Shqipëri dhe e konsideroj veten një hebre shqiptaro-greke. Nuk mund ta harroj se çfarë bëri familja Lazaj për familjen time dhe hebrenjtë tjerë në Shqipëri”, thotë Anna mes emocioneve.

Libri “Lulja e Vlorës” është autobiografi e një autoreje hebreje e lindur në Vlorë dhe historia e një familje hebreje në Shqipërinë komuniste. Libri ndërthurur historinë e shqiptarëve që është fshehur nga konjunkturat e regjimit totalitar. Mund të thuash lirisht se ka një vlerë historike, pasi aty rrëfehet jo vetëm për jetën e një familje dhe komunitetit hebrej në Vlorë, por hidhet dritë se si komuniteti i hebrejve ka nisur të vendoset në trojet shqiptare. Historia e familjes të saj është fragment i historisë të komunitetit, që konservoi kulturën e hebrejve Romaniotë, traditat, gjuhën dhe fenë edhe në Shqipërinë e diktaturës deri sa ndalohej besimi fetar.

Një ngjarje që shtrihet nga 1938 e deri në ditët e sotme, “Lulja e Vlorës” është një rrëfim i familjes romaniote-hebreje të Anna Kohen në Shqipëri dhe se si shqiptarët myslimanë i shpëtuan ata nga nazistët. Me të mbërritur në Shqipëri në Vlorën piktoreske pak para Luftës së Dytë Botërore, familja e saj u bashkua me një komunitet të vogël tregtarësh greko-romanioto-hebrenj.

“Kur erdha në Amerikë, gjëja e parë që bëra në aeroport ishte që vura yllin hebre dhe mendova: Kam ardhur në një vend që do të më japë lirinë që nuk e kam pasur kurrë”, është shprehur autorja para artëdashësve.

Me rrëzimin e diktaturës, Anna Kohen i forcoi lidhjet me Shqipërinë, por edhe me komunitetin Shqiptaro-Amerikan në SHBA. Më 2012 Anna Kohen me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë, e ftuar si Mike Nderi nga shteti shqiptar vjen në Shqipëri dhe me këtë rast shkon në fshatin Trevëllezër, tek familja Lazaj që strehoi familjen e saj. Kadri dhe Vera Lazaj nuk jetonin më, por takohet me djalin e tyre. Njëkohësisht viziton edhe shtëpinë e prindërve të saj, tashmë një banesë e pabanueshme.

Mes shumë personaliteteve të pranishëm ishin edhe ambasadorë të disa shteteve mike të Kosovës e Shqipërisë, ish kryeministri Avdulah Hoti, ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Shqipërisë Qemail Minxhozi e shumë të tjerë të cilët e përgëzuan autoren e i dëshiruan shëndet.

Ish ambasadorja e Misionit Diplomatik të Kosovës në Neë York Teuta Sahatqija tha se është nder për ne që kemi sot prezente zonjën Kohen pasi që është person shumë i dashur e i respektuar në komunitetin shqiptar. “Ana është hebreje e lindur në Vlorë e cila me vonë shpërngulet në SHBA. Familja e saj është shpëtuar nga një familje shqiptare gjatë luftës së dytë botërore në Shqipëri dhe ajo ka shumëçka për të treguar.

Në fjalën e tij, Historiani Prof. Dr. Frashër Demaj, tha se shqipëtarët në kulturën e tyre e kanë “Ndorjen”. “Ndorja” është kur të bjen dikush në dorën tënde nga halli, je i obliguar sipas besës dhe kanunit për ta mbrojtur, edhe në qoftë se ty të kushton me jetë. Janë shumë familje edhe në Kosovë që kanë ndihmuar në strehimin e hebrenjeve. Ka ngashmëri mes shqiptarëve dhe hebernjve në shumë aspekte. Degdisja nëpër botë e hebrenjve është shumë e ngashme me shqiptarët. Personalitetet e para që u kujdesën për Kosovën që në vitet e para të të 90-ve, vinin nga ShBA-të dhe ishin me preardhje hebreje. Ishte Tom Lantosh pastaj zonja Albright, Kohen, Klark e shumë të tjerë që mbrojtën të drejtën e këtij populli.

Ndërsa Flori Zevi nga komuniteti hebraik, me këtë rast shpalosi disa përjetime të komunitetit hebraik në Kosovë e Shqipëri ndër vite.

Shqipe Malushi nga shoqata “Motrat Qiriazi”, evokoi kujtime nga aktivitetet që kishin në ShBA, bashkë me zonjën Kohen. Ajo shpalosi sfidat që kanë kaluar së bashku duke u munduar t’i emancipojnë dhe integrojnë gratë shqiptare në Amerikë. “Dr. Kohen ka punuar pandërprerë, ka pasur një energji shumë të madhe. Falë saj u bashkuam me shoqatën “ Motrat Qiriazi” në Kosovë duke iu ndihmuar shqiptarëve në Kosovë. Dr. Kohen kishte dy dhimbje gjatë luftës në Kosovë, pasi që i kujtonte dhimbjet e hebrenjve të përndjekur”.

Ndërsa Edëin Schëartz, përkthyesi i librit dhe mik i autores, ky libër është interest pasi kur ta lexoni do të zbuloni sëgën 100 vjeqare të dinastisë kohen familje Romaniote hebreje greke që u vendos në Vlorë në vitin 1938. “Kur e kam njohur Anna Kohe-in kam fituar përshtypjen e një uragani e cila nuk ndalet para asgjëje. Kam pasur fatin e mirë ta njoh këtë zonjë në të gjitha etapat e jetës dhe e krahasoj me nënë terezën në miniaturë porn ë fushat e veta. Lajtmotivi I këtij libri është triumfi I së mirës mbi të keqen”, ka thënë Schwartz.

Jam shumë e lumtur që jam sot para jush, është shprehur në fund zonja Kohen. “Gjithçka që ndodh e ka një arsye, para 10 vitesh isha në Tiranë e ftuar nderi me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. Me atë rast vizitova fshatin Trevëllazër, kisha shumë emocione. Ne ikëm nga Shqipëria kur në atë kohë nuk kishte mundësi të ikte as edhe një mizë. Pra janë të gjitha këto përjetime që nuk ndodhin rastësisht”.

“Lulja e Vlorës” është një libër që duhet lexuar, pasi është shkruar me shumë dashuri dhe vërtetësi.

Iliriana Pylla

KMDLNj: Serbia po kërcënon serbët që jetojnë në Kosovë se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me Qeverinë

KMDLNj ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se Serbia po përdorë dezinformimin si mjet për ta luftuar Kosovën.

Përmes një reagimi për media, KMDLNj ka theksuar se brenda një kohe të shkurtë janë dhënë tri dezinformata nga ana e Serbisë, e cila sipas tyre përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të vendit e ka tensionuar situatën.

“Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore.

Reagimi i plotë:

Organizata joqeveritare Aktiv doli me një informatë se drejtori i kësaj OJQ –je, Miodrag Miliqeviq, me datë 14.11.2022 në ora 9.30 të mëngjesit është ndaluar në pikëkalimin në Jarinje nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe me këtë rast ishte keqtrajtuar verbalisht dhe fizikisht duke u qëlluar me grusht në bark ndonëse, sipas tyre, me asgjë nuk e ka provokuar situatën. Pas kësaj kishte shumë reagime nga mediat në Serbi si dhe institucionet shtetërore të Serbisë duke deklaruar se është vazhdim i dhunës ndaj serbëve. Policia e Kosovës e ka përgënjeshtruar këtë informatë duke deklaruar se nuk ka asnjë ankesë nga z. Miliqeviq për rastin në fjalë.

Kohë më parë kur u keqtrajtua një e moshuar shqiptare në Shtëpi për të Moshuar në Pejë në mediat serbe ishte një informatë që përcillej me fotografi se si infermieret shqiptare e keqtrajtojnë një të moshuar serbe pas së cilës u aktivizuan politikanët nga Serbia duke e gjykuar këtë “ dhunë “ ndaj plakës serbe. Policia serbe, para një jave arrestoi një grup të organizuar kriminal me dyshim se kishin planifikuar vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo nuk paraqet asnjë lajm për Kosovën po të mos ishte një informatë se, edhe këtu ishin të ngatërruar shqiptarët. Në raportet nga hetuesia thuhet se ishin planifikuar tre mundësi për vrasje të Vuçiqit, atentat me armë, vënia e mjetit shpërthues në automobilin e Vuçiqit sikur edhe helmimi i tij në restorant ku e frekuenton përmes hedhjes së një helmi në ushqim e që pastaj, si i sëmurë nga zemra do të pësonte atak kardiak. Ndërkaq, si njeri të besueshëm që do ta hedhte helmin në ushqim ishte caktuar një shqiptar i besueshëm i cili, për këtë do të shpërblehej me 5000 euro.

Janë tri dezinformata brenda një kohe të shkurtër në kohën kur Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike që nga rasti i Gjorgje Martinoviqit, vrasja e të rinjve serbë në kafeterinë “ Panda “ në Pejë, vrasja e fëmijëve dhe të rinjve serbë në fshatin Gorazhdec, fshat i banuar 100 përqind me serbë, vrasja e 11 fshatarëve serbë duke punuar tokën në fshatin Staro Gracko të Lipjanit, vendosja e mjetit shpërthyes në autobusin e UNHCR që bartte refugjatë serbë në veri të Kosovës e që ishte kontrolluar nga serbët dhe ndërkombëtarët, deri te vrasja e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, në prani dhe përkrahje të xhandarmerisë franceze me ç’rast dhunshëm janë shpërngulur mbi 13,000 shqiptarë dhe joserbë sikur edhe vënia e zjarrit shtëpive dhe veturave të serbëve në veri të Kosovës shkaku se i kanë konvertuar targat ilegale apo janë integruar në institucione të Kosovës.

KMDLNj –ë, ka reaguar për të gjitha këto raste duke kërkuar zbardhjen e tyre dhe vënien para drejtësisë të atyre që kanë përgjegjësi mirëpo, asnjë nga këto raste nuk ishte zbardhur ndërkohë që përgjegjësia arbitrarisht ishte adresuar te shqiptarët. Është e habitshme se si faktori ndërkombëtar nuk kontribuoi në zbardhjen e asnjë rasti në ndërkohë që KMDLNj–ë fuqishëm beson se ndërkombëtarët mund të kenë informata për këto raste por se heshtin për shkak të oportunitetit politik. Realisht, vetëm rasti “Panda“, falë rrjedhjes së informatave nga burimet serbe konsiderohet i sqaruar duke e adresuar përgjegjësinë drejt shërbimeve sekrete të Serbisë por se nuk është ndërmarrë asnjë veprim ligjor për të sanksionuar përgjegjësinë penale për këtë krim të tmerrshëm. Institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin në zbardhjen e këtyre rasteve të cilat Serbia i përdorë për ta fajësuar Kosovën ndonëse nuk e kanë asnjë fakt për këtë.

Opinioni kosovar por edhe ai ndërkombëtar është i informuar se pas ngjarjeve të marsit të vitit 2004 kur e pësuan serbët dhe romët, kryesisht, pati shqiptarë të arrestuar dhe të dënuar, të gjitha dëmet materiale në shtëpi dhe objekte fetare u kompensuan nga buxheti i Kosovës sikur që ishte një fushatë gjithëpërfshirëse për kthimin e serbëve të zhvendosur. Në anën tjetër, ndonëse në këto ngjarje të dhunshme ishin vrarë 11 shqiptarë, askush nuk bëri hetim për vrasjen e tyre ku kishte edhe ekzekutime klasike nga afërsia dhe askush nuk u arrestua apo dënua për këto vrasje. Vënia e drejtësisë dhe kompensimi u bë sipas parimit ekskluzivisht etnik e jo sipas ligjit që garanton trajtim të njëjtë për të gjithë.

Askush nuk u dënua për vrasjen e 11 shqiptarëve në Mitrovicë në shkurt të vitit 2000, askush nuk ua kompensoi dëmet materiale dhe, jo që nuk pati angazhime për kthimin e tyre ( mbi 13,000 ) në pronat e tyre por, përkundrazi ndërkombëtarët, me të gjitha mjetet e pamundësuan kthimin e tyre ndërkaq që institucionet e Kosovës, për një kohë ua paguan qeranë për t’i lënë pastaj në mëshirën e fatit.

Në këtë mënyrë u përligj spastrimi etnik i veriut të Kosovës për ta krijuar një situatë tjetër etnike e që po manipulohet nga Serbia. Institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, KMDLNj mendon se nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore.

David Phillips: Dialogu do të vazhdojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia

Shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk i ka pranuar rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që ta shtyjë për 10 muaj vendimin për ri-regjistrimin e targave ilegale serbe në ato RKS.

Megjithatë, si të drejtë këtë vendim po e vlerëson Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips.

Ai thotë se Kosova është një shtet sovran dhe se ka të drejtë që ta vërë një afat të caktuar për targat e makinave.

“Kosova është shtet sovran dhe ka të drejtë të caktojë një afat për targat e makinave. Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar se qasja dhe koha e kryeministrit Kurti mund ta përshkallëzojnë konfliktin. Prandaj mendoj se duhet të ketë një rrugë të mesme sa i përket kohës”, u shpreh ai.

Njohësi i politikave për Ballkanin Perëndimor, shprehet i bindur se krejt në fund të këtij procesi Kosova do ta siguroj njohjen nga Serbia, pavarësisht se plani franko-gjerman nuk e parasheh një gjë të tillë.

Tutje, Phillips thotë se Kosova do t’i ruajë kufijtë e saj aktual, pavarësisht tensioneve në veri të vendit.

“Dialogu do të vazhdojë si mjet për zbutjen e konfliktit derisa të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare ku Serbia do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, deklaroi Phillips për tëvë1.info.

Ditë më parë, serbët vendosën t’i braktisin institucionet e Kosovës, për shkak se nuk u pajtuan që të respektojnë vendimin e qeverisë për ndërrimin e targave të makinave. Për më tepër, ata po kërkojnë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Express

Konjufca takon një delegacion nga Kongresi amerikan

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, takon delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (HDP) të Kongresit të SHBA-së, 15 nëntor, 2022.

RFE/RL

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën priti në takim një delegacion nga Komisioni i Partneritetit për Demokraci (HDP) i Kongresit të SHBA-së për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit mes dy palëve lidhur me shërbimet e bibliotekës dhe arkivimit.

Në këtë takim ishin të pranishëm Mike Bishop, ish-kongresist nga Partia Republikane, Derek Luyten, drejtor ekzekutiv i HDP-së, Kimberly Ferguson, specialiste për menaxhimin e Sistemit Informativ Legjislativ në Bibliotekën e Kongresit, Sarah Garding, analiste për Çështje Evropiane në Shërbimin e Kërkimit të Kongresit (CRS) dhe Kristen Sample, drejtore e përgjithshme e qeverisjes në Zyrën Qendrore të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Uashington.

“Në takim u shkëmbyen pikëpamje rreth mënyrave konkrete të bashkëpunimit ndërmjet HDP-së dhe Kuvendit, me fokus mbështetjen për ngritjen e Institutit Parlamentar, si dhe zhvillimin e shërbimeve të bibliotekës dhe arkivit të legjislativit”, thuhet në komunikatën e Kuvendit të Kosovës.

Sipas kësaj komunikate, gjatë këtij takimi Konjufca e falënderoi SHBA-në për mbështetjen që i ofron Kosovës, duke shtuar se “miqësia e dëshmuar, aleanca strategjike dhe partneriteti shembullor ndërmjet popujve dhe shteteve tona mbeten të palëkundura”.

Të enjten, HDP-ja bëri të ditur se këtë javë do të bashkëpunojë me Parlamentin e Kosovës lidhur me metodat që përmirësojnë llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”.

“Partneriteti për Demokraci në Dhomën e Përfaqësuesve, po punon ngushtë këtë javë me Parlamentin e Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me kërkimin dhe arkivimin – elemente kritike për llogaridhënien dhe profesionalizmin e legjislaturës”, shkroi HDP-ja në Twitter.

Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i HDP-së shkroi të hënën në Twitter se problemet e kërkimit, arkivimit dhe menaxhimit të të dhënave nuk duhen të lihen anash.

“Të konsideruara nga disa si çështje të dorës së dytë, këto janë çështje kritike për llogaridhënien dhe trasparencën e institucioneve”.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, të dyja palët u pajtuan që të zgjerojnë bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvojat “në dobi të ngritjes së efikasitetit dhe funksionalitetit të përgjithshëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

Sportistët e Ukrainës gjejnë mikpritje e kurajë në Kosovë

Arton Konushevci

“Jemi shumë falënderues për përkrahjen që Kosova i jep Ukrainës… edhe nëse këtë përkrahje e jep vetëm me fjalë”, tha Sergey Malyshko.

“Qyteti ku unë kam jetuar, është shkatërruar nga ushtarët rusë. Vendi atje është shkatërruar, por shumë familje po kthehen”, tha ai.

Malyshko, 28 vjeç, është lojtar i kombëtares së Ukrainës në futsall.

Sergey Malyshko, lojëtar i ekipit kombëtar të Ukrainës në futsall, tha për REL-in se me ndeshjet sportive ai po kontribuon për shtetin e tij, që po përballet me pushtimin rus.

Sergey Malyshko, lojëtar i ekipit kombëtar të Ukrainës në futsall, tha për REL-in se me ndeshjet sportive ai po kontribuon për shtetin e tij, që po përballet me pushtimin rus.

Bashkë me ekipin e tij, ai mori pjesë në një ndeshje futsalli që u zhvillua mbrëmjen e së mërkurës në sallën e sporteve në Prishtinë.

Lojtarët u mirëpritën me duartrokitje të gjata nga qindra sportdashës nga Kosova.

“Slava Ukraini” apo “Lavdi Ukrainës” shkruante në një pano të ngritur në sallë. Aty shkruante edhe “Kosova stands with you”, apo “Kosova është me ju”.

Tifozët në Pallatin e Rinisë kishin flamuj ukrainas dhe pano në mbështetje të Kievit.

Tifozët në Pallatin e Rinisë kishin flamuj ukrainas dhe pano në mbështetje të Kievit.

Ukraina është nën pushtimin e ushtrisë ruse qysh në fund të shkurtit.

Shifra të sakta për të vrarët nuk ka, por besohet të jenë qindra mijëra.

Mbi 7 milionë ukrainas janë zhvendosur jashtë kufijve të vendit të tyre, ndërsa miliona të tjerë brendapërbrenda.

Sergey Malyshko, gjatë ndeshjes kundër Kosovës, e cila u mposht nga ekipi ukrainas.

Sergey Malyshko, gjatë ndeshjes kundër Kosovës, e cila u mposht nga ekipi ukrainas.

Malyshko, përpara se të shpërthente lufta, ka jetuar në qytetin e Harkivit, në verilindje të Ukrainës, ndërsa më pas është zhvendosur në qytetin perëndimor të Lvivit.

Në ndeshjen e futsallit që u zhvillua në Prishtinë, ekipi ukrainas fitoi ekipin kosovar me rezultat 5:2.

Malyshko tha se fitoret e tilla janë motiv për lojtarët, por edhe për luftëtarët në front.

“Dua t’i falënderoj ushtarët e Ukrainës për luftën që po bëjnë për mbrojtjen e qytetarëve dhe që neve e shumë njerëzve të tjerë po u mundësojnë të punojnë e luftojnë në forma të ndryshme. Edhe kjo ndeshje, kjo lojë… për mua është një kontribut për vendin tim”, tha Malyshko.

Ekipi i kombëtares ukrainase në futsall dhe gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, pozojnë pas ndeshjes kundër Kosovës.

Ekipi i kombëtares ukrainase në futsall dhe gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, pozojnë pas ndeshjes kundër Kosovës.

Sipas tij, përgatitjet për lojë në një vend në luftë nuk janë aspak të lehta.

“Në perëndim të Lvivit arrijmë të ushtrojmë në një klub vetëm deri atëherë kur nuk ka alarme rreziku, e që na duhet të mbyllemi. Për momentin, jam sportist… por nëse kërkohet nga unë të shkoj të luftoj dhe ta mbroj vendin tim, unë do të shkoj dhe nuk do të fshihem askund”, tha Malyshko.

Oleksander Kosenko është trajner i kombëtares së Ukrainës në futsall. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai u shpreh i mahnitur me mikpritjen që u është bërë në Kosovë dhe me kurajën që i është dhënë nga njerëzit që ka takuar.

Ndeshjet që zhvillon, ekipi i përjeton si një lloj lufte, tha ai.

“Me këtë lloj të luftës duam të sjellim gëzim te qytetarët e Ukrainës”, tha Kosenko.

Oleksander Kosenko, trajneri i kombëtares ukrainase në futsall.

Oleksander Kosenko, trajneri i kombëtares ukrainase në futsall.

Burrat në Ukrainë, nga mosha 18 deri në 60 vjeç, nuk lejohen të largohen nga vendi në kohë lufte.

Kosenko tha se kombëtarja e futsallit merr leje nga Ministria e Sportit e Ukrainës për të udhëtuar jashtë Ukrainës për lojë.

“Lejet i marrim për një afat të shkurtër dhe e kemi obligim që të kthehemi përsëri në Ukrainë”, tha Kosenko.

Ne mesin e shikueseve të lojës ishin edhe disa gazetarë nga Ukraina, që gjetën strehim në Kosovë.

“Kosova është bërë si shtëpi e dytë për ne”, tha gazetarja Oksana Chykanchy, e cila ka rreth tre muaj që është vendosur në Kosovë.

Gazetarja e strehuar në Kosovë, Oksana Chykanchy, në mbështetje të ekipit të saj kombëtar në futsall, gjatë ndeshjes së organizuar në Prishtinë më 9 nëntor.

Gazetarja e strehuar në Kosovë, Oksana Chykanchy, në mbështetje të ekipit të saj kombëtar në futsall, gjatë ndeshjes së organizuar në Prishtinë më 9 nëntor.

Kosova, po ashtu, u është bashkuar sanksioneve që ka ndërmarrë Perëndimi kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Me fitoren në Kosovë, kombëtarja e Ukrainës në futsall forcoi pozitën në kuadër të garës për kualifikimet e Botërorit 2024.

Veriu pa kryetarë: “Nuk i forcojmë institucionet e shtetit të panjohur”

Luljeta Krasniqi – Veseli

Katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan – janë pa kryetarë qysh më 5 nëntor, dhe disa qytetarë të anketuar nuk duket se kanë disponim për t’i zgjedhur të rinjtë.

Kryetarët, të nacionalitetit serb, dhanë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Të mbështetur edhe nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri i kundërshtojnë targat që i lëshon Republika e Kosovës, RKS, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Dorëheqje, për të njëjtat pakënaqësi, dhanë edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri – nisur nga policia deri te gjykatat – ashtu si edhe 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq. Këta të fundit vinin nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.

 

Çfarë duhet të bëhet me komunat?

Pas dorëheqjes së kryetarëve, komunat, ligjërisht, duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Zgjedhjet, sipas Ligjit, shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërbërjes së kuvendeve komunale, ndërsa duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së tyre.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më 11 nëntor se ka ftuar subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri.

Takimi konsultativ u thirr për datën 14 nëntor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë për Radion Evropa e Lirë se KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve, për të filluar pastaj me përgatitjet intensive të tyre.

“Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet, të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, thotë Elezi.

A do të merrnin pjesë serbët e veriut në zgjedhje?

“Nuk do të dilja fare”, thotë për Radion Evropa e Lirë Branimiri, një qytetar nga Mitrovica e Veriut.

“Unë nuk dal më në zgjedhje pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit [politikan serb nga veriu i Kosovës]. Zgjedhjet nuk janë më demokratike… që të mund të votohet për këdo”, thotë ai.

As Marko nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, por për arsye tjetër ai thotë se nuk dëshiron t’u japë legjitimitet zgjedhjeve në të cilat nuk do të merrte pjesë Lista Serbe.

“Më vjen shumë mirë që ata u larguan [nga institucionet], sepse, më në fund, ka ardhur koha për të bërë gjërat e duhura. Nuk mendoj se na duhej të ishim në institucionet e tyre [Kosovës] gjatë gjithë kësaj kohe dhe t’i forconim institucionet e një ‘shteti të panjohur’”, thotë Marko.

Kosova është shtet i pavarur nga shkurti i vitit 2008 dhe njihet nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të BE-së.

Midoragu, gjithashtu, beson se nuk duhet marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës.

“Qëllim i zgjedhjeve është që komuniteti serb t’i zgjedhë përfaqësuesit e tij, por, për momentin, një gjë e tillë nuk është e mundur, kështu që zgjedhjet do të ishin farsë”, thotë ai.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se shpallja e zgjedhjeve në katër komunat veriore është e pashmangshme, por pjesëmarrja e votuesve dhe mënyra se si do të zhvillohej procesi mbeten, sipas tij, të diskutueshme.

Cakolli thotë se, në rast se serbët në këto komuna nuk do t’i përgjigjeshin pjesëmarrjes në zgjedhje, Kosova do të rrezikonte të kthehej në periudhën e para vitit 2013, kur dalja në zgjedhje lokale në këto komuna ishte e ulët.

“Për pasojë, në atë kohë krijoheshin institucione që nuk kishin legjitimitet të mjaftueshëm qytetar”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Serbët e veriut u bënë pjesë e institucioneve të Kosovës në vitin 2014, pasi Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, arritën marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, më 2013.

Njohësi i proceseve politike, Artan Muhaxhiri, profesor i sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se procesi zgjedhor nuk është zgjidhje në kohën kur serbëve u mungon vullneti për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

“Në një atmosferë kaq të tensionuar dhe me një reagim të ashpër të serbëve në atë pjesë… i gjithë procesi do të shndërrohej në një farsë të rrezikshme dhe nuk do të kishte legjitimitet”, thotë Muhaxhiri.

Ai shton se para zgjedhjeve lokale në veri, do të ishte mirë të arrihej një marrëveshje politike mes Beogradit dhe Prishtinës, por, sipas tij, aktualisht nuk ka indikacione se kjo mund të ndodhë.

Disa skenarë për zgjedhjet komunale në veri

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Mazllum Baraliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë disa skenarë që mund të ndodhin në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri.

“Një prej tyre është bojkotimi, megjithëse është alternativë më pak e mundur. Ata [kryetarët], edhe më herët, kanë dhënë dorëheqje dhe brenda afatit [ligjor] kanë konkurruar përsëri për kryetarë të komunave. Dhe, ata prapë mund t’i lënë ato mandate [të rifituara] dhe kështu të shkohet pa kufi”, thotë Baraliu.

Sipas tij, nëse qytetarët me të drejtë vote nuk i përgjigjen procesit zgjedhor, atëherë përsëriten procedurat ligjore për zgjedhjet lokale.

“Presidentja duhet ta përsërisë procedurën dhe të provojë që të realizohet procesi elektoral, që është parakusht për zhvillimin e demokracisë lokale në ato komuna”, thotë Baraliu.

Në komunat veriore me shumicë serbe, zgjedhje të parakohshme u mbajtën edhe në vitin 2019. Vitin paraprak, kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së atëhershme të Kosovës për të vendosur taksë 100% mbi produktet e importuara nga Serbia. Në zgjedhjet e majit 2019, pjesëmarrja e qytetarëve ishte mbi 42 për qind.

Kurti: Në Paris mund të ketë takim trepalësh me Vuçiçin

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se të enjten në Paris mund të ketë një takim trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka shkruar ai në Facebook mbrëmjen e 9 nëntorit, ku ka njoftuar se do të udhëtojë për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

“ Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, ka shkruar ai.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i interesuar për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, ka shkruar ai.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza.

“Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi, pa specifikuar më shumë.

Vuçiq ka thënë, muajin e kaluar, se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit më të shpejtë të saj në BE.

I pyetur nga gazetarët për këtë plan, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha se tash për tash është “shumë i përqendruar” në krizën aktuale.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Qeveria e Kosovës kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

“Të gjithë jemi të shqetësuar për situatën në veri”, sepse ajo ka “potencial për të eskaluar”, tha ambasadori Hovenier.

Hovenier: Të fillojnë urgjentisht negociatat për Asociacionin

RFE/RL

“I kërkojmë Qeverisë së Kosovës që të mos vazhdojë me gjobat [për qytetarët serbë në veri], që të zgjasë për dhjetë muaj afatin riregjistrimin e makinave dhe që të fillojë urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit”.

Kështu deklaroi më 9 nëntor në një takim me gazetarë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Deklaratat e ambasadorit amerikan vijnë disa ditë pasi zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – njoftuan se serbët e veriut do të largohen nga institucionet e drejtësisë, të rendit, komunale, por edhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

Kjo, pasi Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor zbatimin e një plani për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe – gjë që u kundërshtua nga shumica e serbëve lokalë dhe nga Beogradi zyrtar.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ky plan të shtyhet për dhjetë muaj, por kjo kërkesë u refuzua.

 

Tensionet në veri “për shkak të planit franko-gjerman”

Kryeministri Kurti akuzoi më 7 nëntor presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri dhe tha se kjo po bëhet për shkak të, siç u shpreh, refuzimit të planit franko-gjerman nga pala serbe. Ky plan, siç është raportuar, parasheh zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, Vuçiq është duke i përdorur pjesëtarët e strukturave ilegale serbe në veri të Kosovës për destabilizim.

Për Kosovën, sipas Kurtit, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.

 

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. “Një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël – që ata thonë se është 1 për qind – do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”, ka thënë Bislimi.

Vuçiq ka thënë muajin e kaluar se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të integrimit të shpejtë të saj në BE.

*Video: Kronologjia e rritjes së tensioneve në veri

Kërkesa dhe “refuzimi” për formimin e Asociacionit

BE-ja dhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje që Kosova të bëjë hapa drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e këtij asociacioni në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.

Kurti ka deklaruar disa herë që është kundër formimit të një asociacioni njëetnik.

Serbia, në anën tjetër, insiston që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive.

Si do të zëvendësohen mandatet e deputetëve të dorëhequr serbë?

Udhëheqësit e Listës Serbe në protestën e 6 nëntorit në Mitrovicën e Veriut.

Doruntina Baliu

Dhjetë deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – kanë dhënë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë serbë në institucionet në veri të vendit.

Dorëheqjet kanë nisur fundjavën e kaluar, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Se çfarë do të ndodhë tani me mandatet vakante, për Radion Evropa e Lirë flasin ekspertë të Ligjit për zgjedhje dhe të Kushtetutës së Kosovës.

Cili është hapi i parë pas dorëheqjes së deputetëve?

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lista Serbe ka fituar më së shumti vota nga partitë e komunitetit serb në Kosovë.

Sipas rezultatit të këtyre zgjedhjeve, mandatet i kanë fituar deputetët: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Ivan Todosijeviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq dhe Jasmina Deçiq.

Megjithatë, Todosijeviq nuk e ka marrë mandatin e deputetit, për shkak të një dënimi nga Gjykata në Prishtinë, dhe vendin e tij e ka zënë Dragana Antonijeviq.

Sipas procedurave që parasheh edhe ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë më 8 nëntor kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që t’i rekomandojë emrat, të cilët do t’i zëvendësojnë deputetët e Listës Serbe që kanë dhënë dorëheqje.

Tani, KQZ-ja ka pesë ditë pune kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së presidentes.

Kush mund t’i zëvendësojë deputetët e dorëhequr?

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë parasheh që në rast të lirimit të një mandati nga një deputet – për çfarëdo arsyeje, përfshirë edhe dorëheqjen – zëvendësimi i tij bëhet “nga kandidati i ligjshëm në radhë i së njëjtës gjini, i cili ka fituar numrin më të madh të votave” në emër të listës me të cilën ka garuar.

Në zgjedhjet e fundit, Lista Serbe ka garuar me 20 kandidatë, që do të thotë se KQZ-ja mund t’i propozojë 9 kandidatët e mbetur për t’u betuar si deputetë.

Këta kandidatë janë: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetisllav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Millan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Ollivera Zdravkoviq.

Çfarë ndodh nëse këta kandidatë nuk pranojnë të bëhen deputetë?

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk i është përgjigjur kësaj pyetjeje të Radios Evropa e Lirë deri në publikimin e këtij artikulli.

Por ish-kryetarja e KQZ-së dhe gjyqtarja, Valdete Daka, thotë se për deputetë mund të propozohen edhe serbë që kanë garuar në zgjedhje nga subjekte të tjera politike.

“Nëse ata [kandidatët nga Lista Serbe] refuzojnë ta marrin mandatin, aplikohet e njëjta procedurë derisa të ketë kandidatë nga ai subjekt. Nëse nuk ka nga ai subjekt, atëherë kërkohen nga subjektet që kanë garuar në zgjedhjet e fundit të përgjithshme për vendet e rezervuara për etnitetin serb”, thotë Daka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë garuar edhe dy subjekte të tjera nga komuniteti serb: Lidhja Demokratike Serbe dhe Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Kandidatë nga e para kanë qenë: Sllavisha Petkoviq, Mihajllo Shqepanoviq, Jasmina Zdravkoviq, Srbolub Andrejeviq dhe Esada Rexhepi, ndërsa nga e dyta: Millan Dabiq, Cvetko Velkoviq dhe Rada Trajkoviq.

A funksionon Kuvendi pa dhjetë deputetët e pakicës serbe?

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të jetë gati tërësisht funksional edhe nëse pozitat e deputetëve nuk plotësohen, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, Visar Morina.

“Nuk është se ka ndonjë pengesë kushtetuese që Kuvendi i Kosovës të mos mund të funksionojë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Morinës, votat e deputetëve nga komunitetet pakicë janë të domosdoshme vetëm kur në Kuvend dalin në votim ndryshimet kushtetuese.

Më 7 nëntor, kur deputetët serbë kanë dorëzuar dorëheqjet, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se puna e këtij institucioni nuk rrezikohet.

A mund të dërgohet çështja në Gjykatë Kushtetuese?

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se plotësimi i vendeve në Kuvend mbetet i diskutueshëm, në qoftë se përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe nuk i marrin mandatet e deputetëve.

Kjo, pasi partitë e tjera të komunitetit serb së bashku kanë vetëm 8 kandidatë për deputetë.

Cakolli thotë se në këtë situatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të duhet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të parë se si mund të procedohet tutje.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Por profesori Morina shprehet skeptik nëse Gjykata Kushtetuese mund të japë opinion në lidhje me këtë situatë.

“Gjykata Kushtetuese, viteve të fundit, ka manifestuar tendenca të vetëpërmbajtjes gjyqësore. [Për] raste të tilla të dhënies së opinioneve, apo këshillave, apo interpretimeve kushtetuese të kësaj natyre, gjykuar nga praktika e viteve të fundit, nuk është se ka dhënë shenja se është e gatshme të japë”, thotë Morina.

Përveç dhjetë deputetëve serbë, dorëheqje nga pozita kanë dhënë edhe zyrtarët serbë në sistemin e drejtësisë, policisë dhe atë komunal në veri të Kosovës, si dhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, i cili po ashtu vjen nga komuniteti serb.

Ata e kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Beogradi zyrtar, që ushtron kontroll mbi ta, insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare nuk heq dorë nga vendimi i saj.

Konjufca: Serbia mund ta sulmojë Kosovën edhe pas nënshkrimit të propozimit franko-gjerman

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se rreziku i një sulmi nga Serbia ndaj Kosovës mbetet edhe nëse shteti serb e pranon dhe e nënshkruan propozimin franko-gjerman, i cili, sipas tij, është praktikisht njohje e sovranitetit të Kosovës.

Konjufca ka thënë se Kosova duhet në vazhdimësi të investojë në kapacitete ushtarake dhe të mos krijohen iluzione për Serbinë.

Sipas kryekuvendarit, një marrëveshje sipas propozimit franko-gjerman nuk do të zgjidhte problemin përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë, por do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes.

“Nuk duhet të futemi në iluzione. Edhe nëse Serbia e nënshkruan këtë marrëveshje, ajo mund ta sulmojë Kosovën. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të forcojmë ushtrinë, duhet të investojmë në ushtrinë tonë. Kjo nuk e zgjidh problemin përfundimisht, por është hapi më i madh deri tash nga ’99 për ta zgjidhur problemin”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova, transmeton Gazeta Express.

Konjufca ka thënë se më 12 qershor të vitit 1999, Serbia e ka pranuar humbjen e Kosovës, por nuk e ka pranuar që Kosova është e shqiptarëve.

“Serbia e ka pranuar më 12 qershor ‘99, ia ka pranu ndërkombëtarëve që Kosova nuk është e vetja, por nuk ia ka pranu shqiptarëve që nuk është e tyre. Ajo e ka vazhduar betejën 20 vjet. Tash ka ardhur momenti tjetër, që me dorë të veten që Kosova nuk është e saj. Vetë ajo me pranu”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka vlerësuar se presidenti Aleksandar Vuç mund ta ‘detyrojë’ kryeminsitren Ana Brnabiq që ta vendosë firmën mbi këtë marrëveshje.

Megjithatë, sipas tij, përpjekjet destabilizuese të Serbisë mund të vazhdojnë edhe më pas.

“Bile bile ai Vuçiqi nuk e nënshkruan fare, por e shti Bërnabiqin. Vu֛qiqi nuk do të ndryshojë, do të mbetet ai Vuçiq, e as karakteri i shtetit serb nuk ndryshon. Serbia nuk e ka pranuar propozimin franko-gjerman dhe deri tani nuk po shoh sanksione nga shtetet e huaja, ndoshta i shohim më vonë”, ka deklaruar ai.

Bashkimi Europian dërgon karabinierë e xhandarmëri në veriun e Kosovës

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimin Evropian, Josepp Borrell ka njoftuar se sonte janë dërguar forca shtesë në Kosovë për të garantuar sundim të ligjit.

Sipas një njoftimi në Twitter, Borell tha se në Kosovë kanë zbarkuar forca shtesë të Xhandarmërisë dhe të Karabinierëve italianë për të ndihmuar misionin e EULEX-it

“Në këto kohëra të tensionuara në Kosovë, misioni i BE-së në Kosovë për sundim të ligjit EULEX përmbush detyrën që ka për të garantuar stabilitet: Forca Evropiane e Xhandarmërisë, pjesë e Karabinierëve, zbarkoi sonte që përkohësisht ta përforcojë Njësinë Policore të EULEX-it në Kosovë. EULEX do të vazhdojë që ta mbështesë një ambient të sigurt” , ka shkruar Borrell.

Pavarësisht kësaj, situata në veriun e vendit ka qenë e qetë. Pas dorëzimit të e detyrës nga policët serbë, njofton RTK, Policia e Kosovës nga komunitetet e tjera e kanë përmbushur boshllëkun, në pikat kufitare dhe në vijën gjelbër. syri.net

Rada Trajkoviq: Në Veri ka banda të armatosura

Rada Trajkoviq kryetare i Lëvizjes Evropiane Serbe nga Kosova, ka vlerësuar se veriu i Kosovës po bëhet hapësirë e rrezikut të tmerrshëm dhe nënvizoi se KFOR-i sigurisht nuk do të merret me punë policore, ndërkohë në veri të Kosovës Radoiçiq ka hedh banda të armatosura.

Sipas Trajkoviq EULEX-i nuk ka numër të mjaftueshëm të policëve për të mbuluar të gjitha vendet në të cilat kanë punuar policët dhe shërbyesit serb që braktisën Policinë e Kosovës, duke shtuar se EULEX nisur nga kjo nuk mund ofroj siguri efikase, transmeton “Nova.rs”.

Ajo në emisionin “Mes nesh” në “TV Nova S” nënvizoi se EULEX nuk ka mandat të zëvendësoj policinë lokale.

“Ka rrezik, sepse në veri të Kosovës, si ne nuk duam të themi dhe që vazhdimisht tentojmë ta fshehim gjenden banda të armatosura të hedhura nga Radoiçiç, a është ai vetë i pranishëm, nuk di. Po dëgjoj se krahas këtyre grupeve të armatosura atje janë parë edhe pjesëtar të grupit ‘vagner’ gjë që nuk besoj, sepse ata janë mercenar që aktualisht luftojnë për rusët në Ukrainë dhe paguhen nga manjatët rusë dhe nuk di cili manjat serb do dërgonte mercenar në veri që të luftojnë”, tha Trajkoviç.

Për policët serb që dhanë dorëheqje dhe që akoma rrinë në stacionet policore në veri, ajo vlerëson se “janë persona që rrinë në stacione në aranzhuan privat“.

“Nëse ata kanë paraqitur dorëheqje dhe kanë heq uniformën, janë njerëz që rrinë në aranzhuan privat aty dhe kjo është e rrezikshme edhe këtë e di Mitrovica. Ajo ka pas përvojë se serbët e veriut kanë dashur të marrin në kontroll stacionet, unë do thosha me pak armatim e konflikt të madh mes bashkësisë ndërkombëtare edhe serbëve. Ato stacionet janë shumë me rëndësi dhe mendoj se ky është qëndrim i pamenduar mirë nga ata që e morën këtë vendim” tha Trajkoviç.

E konfirmon KQZ: Presidentja ka kërkuar emrat që do t’i zëvendësojnë deputetë e Srpska’s

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja Osmani për rekomandim të personave të radhës për të zëvendësuar deputetët nga radhët e Listës Srpska.

Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai tha se ky komision dotë përgadisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh.

“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga Presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”,tha Elezi.

“Nëse s’nënshkruan, të djegin makinën”: Rrëfimet e të dorëhequrve nga institucionet e Kosovës

Punëtorët e Gjykatës Themelore në Mitrovicë të Veriut pasi dhanë dorëheqje më 7 nëntor.

 

Sandra Cvetkoviq

Një punonjëse e Gjykatës Themelore në Mitrovicë thotë se është detyruar të japë dorëheqje pas 20 vitesh shërbimi, pasi më 5 nëntor, në një takim me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, është vendosur që pjesëtarët e komunitetit serb të dorëhiqen në mënyrë kolektive nga institucionet e Kosovës në veri të vendit.

Si shkak është theksuar “shkelja e të drejtave të serbëve” nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjegjësisht është kërkuar që të anulohet vendimi për riregjistrimin e automjeteve me targat e lëshuara nga Serbia dhe që kanë akronimet e qyteteve në Kosovë, si dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Askush nuk ka asnjë plan se si të rregullohet kjo. Vetëm thanë ‘ejani nënshkruani dorëheqjet’, të cilat ne u desh t’i firmosnim. Pavarësisht se ata thonë se kjo ka qenë vullnetarisht, nuk ka qenë fare vullnetarisht”, dëshmon punonjësja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, e cila pranoi të flasë vetëm në kushte anonimiteti.

Identiteti i saj është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë (REL).

Gjyqësori është integruar në sistemin e Kosovës në vitin 2017, në bazë të Marrëveshjes së Brukselit të arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, më 7 nëntor, gjyqtarët dhe punonjësit administrativë serbë u dorëhoqën zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

“Ata të gjithë thonë ‘nuk e ke me detyrim’, por ti e di se detyrohesh. Nëse nuk nënshkruan, do të t’i vënë zjarrin makinës ose mund të të bëjnë çdo gjë”, thotë e intervistuara nga REL-i.

Policia e Kosovës, në dy muajt e fundit ka regjistruar pesë raste të djegies së pronës së personave, të cilët kanë vendosur të zëvendësojnë targat KM (Mitrovicë e Kosovës) me targa RKS (Republika e Kosovës), gjë të cilën autoritetet e Kosovës e karakterizojnë si “kanosje”. E fundit ka ndodhur më 8 nëntor në Zveçan.

“Mezi presim të kthehemi”

Një punëtore tjetër në një institucion të Kosovës në veri, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaron se nuk e ka braktisur me vullnet vendin e punës. Identiteti i saj është i njohur për REL-in, por nuk bëhet i ditur, sepse edhe ajo ka insistuar që të mbetet anonime.

Ajo thotë se “të gjithë i luten Zotit që situata të rregullohet dhe të kthehen në punë”.
“A thua a ka njeri që mendon ndryshe”, pyet ajo.

Të njëjtën gjë dëshmon edhe një punonjës i njërës prej komunave veriore. Ai thekson se nuk guxojnë të flasin publikisht për “padrejtësinë” që u është bërë.

“Për këtë vetëm pëshpëritet. Në kafene pëshpëritet për këtë dhe nuk mund të flasësh diku publikisht për këtë gjë… vetëm me dikë që e njeh dhe që sigurohesh që askush mos të të shohë”, thotë ai.

Krahas punonjësve të Gjyqësorit, dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, punëtorë komunalë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.

‘Ndarja emocionale’

Juristi Marko Jakshiq, i cili deri më 7 nëntor ishte punonjës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i tha Radios Evropa e Lirë se dorëheqja nga puna ishte shumë emocionale dhe se të gjithë në atë institucion gjyqësor kanë bashkëpunuar, pavarësisht përkatësisë etnike.

Marko Jakshiq

Marko Jakshiq

“Së bashku e ndërtuam atë gjykatë për të mirën e të gjithë qytetarëve të këtij rajoni, shqiptarëve, serbëve, por edhe të gjithë të tjerëve”, tha ai dhe shtoi se “vendimet e gabuara” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti “sollën deri aty që njerëzit të qajnë me lot si shiu, pa marrë parasysh se cilës përkatësi etnike i takojnë”.

Ai theksoi se punonjësit e gjykatës do të mbeten miq mes vete, pavarësisht situatës politike.

“Ata nuk janë grindur me njëri-tjetrin, por janë ata që ishin të premten – kolegë dhe miq. Të tillë do të mbeten”, tha Jakshiq dhe shtoi se beson që nuk do të mbeten pa të ardhura.

Nga paga prej 500 eurosh në 160 euro ndihma nga Beogradi

Të gjithë bashkëbiseduesit e REL-it janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre, pasi nuk e dinë se si do të mbijetojnë pa paga.

…ne që nuk duam t’i braktisim ato institucione (të Kosovës), do të jemi një lloj tradhtarësh”.

Ata theksojnë se të gjithë kanë kredi ndërsa nuk e dinë si do t’i kthejnë.

Punonjësi i komunës thotë se edhe gruaja e tij ka punuar në një nga institucionet e Kosovës, kështu që ata dhe dy fëmijët e tyre të mitur kanë mbetur pa të ardhura.

“Ajo që ndodh është se ne që nuk duam t’i braktisim ato institucione (të Kosovës), do të jemi një lloj tradhtarësh. Kjo është turp”, thotë bashkëbiseduesi, i cili gjithashtu këmbëngul të mbetet anonim.

‘Të gjithë kanë nga dy kredi’

Punonjësja nga sistemi gjyqësor, megjithatë zbulon se Beogradi zyrtar u ka siguruar një pagë të përkohshme prej 20 mijë dinarësh, që është rreth 160 euro.

“Thjesht, nuk mund të jetosh dhe as të mbijetosh me to. Unë kam një kredi mbi 6000 euro dhe nuk e di se si do ta kthej tani. Është vërtet e tmerrshme”, vazhdon ajo.

Paga mesatare e këtyre punëtorëve brenda sistemit të Kosovës është rreth 500 euro.
Beogradi zyrtar ka mbështetur daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë, më 7 nëntor, se populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetje, por nuk ka specifikuar se çfarë mbështetje konkrete do të ofrojë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me kërkesën për të komentuar dëshmitë e disa punëtorëve, se ata nuk janë dorëhequr vullnetarisht nga institucioni dhe nëse do të kompensohen për dëmet materiale. Por, përgjigja nuk ka arritur deri në publikimin e këtij teksti.

REL-i u përpoq të kontaktonte Listën Serbe, por pa sukses.

Nga ana tjetër, një nga bashkëbisedueset e REL-it thotë se Serbia, më 7 nëntor, u ka kërkuar që të deklarojnë se sa janë të ardhurat e tyre në sistemin e Kosovës dhe sa është kësti i kredisë.

“Të gjithë me nga dy kredi. Besoni, të gjithëve na vjen të qajmë”, thotë ajo.

Zyrtarët e Listës Serbe nuk kanë mbetur pa paga

Për situatën e re të krijuar, bashkëbiseduesit fajësojnë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga radhët e Listës Serbe, ndërkaq disa prej tyre theksojnë se “ata e kanë të lehtë të heqin dorë nga një pagë kur i kanë disa të tjera”.

Zyrtarët e lartë të Listës Serbe po ashtu kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës, por nuk kanë mbetur pa paga mujore, sepse kanë të paktën edhe nga një pagë nga buxheti i Serbisë.

Lista Serbe është partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e cila u formua në vitin 2013 me mbështetjen e Beogradit dhe që atëherë merr pjesë në të gjitha institucionet e Kosovës, në nivel qendror dhe lokal.

Për shembull, në mars të vitit 2022, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i raportoi Agjencisë Kundër Korrupsionit të Kosovës të ardhura prej rreth 1.100 euro, në pozitën e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Po ashtu, nga buxheti i Serbisë merr edhe 800 euro të tjera, për pozitën e drejtorit të Ndërmarrjes komunale publike “Standard” në Mitrovicën e Veriut, si dhe për “angazhim” në Shkollën e Lartë Ekonomike për studime profesionale.

Është edhe Igor Simiq, nënkryetari i Listës Serbe, i cili deri më tani ishte deputet i Kuvendit të Kosovës, për të cilin post merrte rreth 1.800 euro në muaj.

Ndërkaq, në sistemin serb, ai shërben edhe si kryetar i drejtorisë në Fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidore, si dhe është asistent në Fakultetin Ekonomik në Mitrovicën e Veriut. Për këto dy funksione ai merr një pagë rreth 1.500 euro.

Si u dorëhoqën serbët nga institucionet?

Dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës ndodhi pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, për shkak se ai refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë për riregjistrimin e veturave.

*Video: Ngjarjet që iu paraprinë tensioneve në veri

Nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e planit për riregjistrimin e automjeteve të lëshuar nga Serbia për qytetet e Kosovës. Bëhet fjalë kryesisht për targat KM (Mitrovica e Kosovës) dhe plani është që ato të konvertohen në targa RKS, përmes tri fazave.

Në fazën e parë, drejtuesve të automjeteve u shqiptohen qortimet, në të dytën ata gjobiten me 150 euro dhe në të tretën, u jepen targa provuese.

Nga prilli i vitit të ardhshëm, në përdorim duhet të jenë vetëm targat RKS (Republika e Kosovës).

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 7 nëntor se pavarësisht ngjarjeve të fundit, puna e institucioneve në veri vazhdon. Ai theksoi se, ditëve të fundit, janë shtuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, për të destabilizuar situatën në Kosovë dhe se po dërgohen “kërcënime për qytetarët tanë përmes mbjelljes së frikës dhe panikut”.

Kurti më herët u ka bërë thirrje serbëve që të mos i braktisin vendet e punës në institucionet e Kosovës, sepse në këtë mënyrë, sipas tij, dobësohen shërbimet dhe mbrojtja e qytetarëve.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Pasojat e gabimeve të rënda të së kaluarës në Kosovë – Nga Enver Robell

 

➽ Kur u nënshkrua marrëveshja e vitit 2013 në Bruksel, pala kosovare tha se “Serbia de fakto e pranoi Kosovën”. Në vitin 2022 kjo duket si ironi e hidhur. Kur u pranua bashkësia e komunave serbe më 2015, pala kosovare tha se marrëveshja do të kalonte për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë e shqyrtoi, e shpalli pjesërisht antikushtetuese, por në vitin 2022 kërkesat perëndimore ndaj Kosovës për të themeluar asociacionin janë edhe më të zëshme. Madje ndërmjetësuesi i BE-së Mirosllav Lajçak me ton guvernatori thotë se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël. Me fjalë të tjera: kush bëhet merak për Kushtetutën tuaj!

➽ Dalja e djeshme nga institucionet e pjesëtarëve të pakicës serbe është larg më shumë se një striptiz policor. Kjo është vetëm provë gjenerale për të sinjalizuar se kështu do të veprojnë, në shkallë më të gjerë, nëse nesër e kanë asociacionin e komunave serbe. Atëherë asociacioni si “entitet juridic” do të dalë nga korniza kushtetuese e shtetërore e Kosovës, nuk do të dalin serbët individualisht nëpër komuna.

➽ Dalja e serbëve nga institucionet në katër komunat veriore të Kosovës tregon se krerët e tyre politikë dhe Beogradi e shohin asociacionin si autonomi territoriale dhe jo si organizatë joqeveritare, siç llomotisnin liderët politikë të Kosovës kur e nënshkruan marrëveshjen. “Lista serbe” nuk ka marrë dje vendime si parti politike, por si pararendëse e asociacionit, sepse ka vendosur jo vetëm për heqjen dorë nga postet në pushtetin qendror dhe në Kuvendin e Kosovës, por dhe për gjykatësit, prokurorët, ofiqarët, administratën, policinë. Në skenarin më të keq aventurave të serbëve të Veriut mund t’ju bashkohen edhe pjesëtarët e pakicës serbe në komunat në pjesët e tjera të Kosovës.

➽ Në aspektin normativ, ligjor apo kushtetues, Serbia nuk ka bërë lëshime ndaj Kosovës. Procesi 10-vjeçar i negociatave dhe konçensioneve të Kosovës ndaj Serbisë ka shkuar deri aty, saqë kërkesa për njohje nga Serbia tani është e tabuizuar në vokabularin e bashkësisë ndërkombëtare. Nga Kosova kërkohet të pranojë si entitete të veçanta asociacionin e kishën serbe, e çka kërkohet nga Serbia?

➽ Çdo debat për krizën e tanishme në Kosovë nuk mund të kalojë pa i parë efektet e vendimeve të këqija, shkurtpamëse e pasojërënda të 10 viteve të fundit. Çmimin e këtyre vendimeve do ta paguajë çdo qeveri. Edhe kjo e tanishmja.

➽ Pas vendimit të favorshëm për Kosovën nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë më 2010, pala kosovare në vend se të pozicionohet qartë kundër hapjes së pakos për ndryshime brenda Kosovës me pjesëmarrjen e Beogradit, vendosi të kundërtën. Atëherë, pra para 12 vitesh, politikani serb Ivica Daçiç prezantoi zëshëm idenë për ndarjen e Kosovës, një ëndërr e ngahershme e nacionalistëve serbë. Brenda një dekade diskursi për ndarjen hyri si bacil edhe brenda diskursit politik të Prishtinës. Me një fjalë: Serbisë i janë shtuar apetitet edhe falë gabimeve të klasës politike të Kosovës.

©Enver Robelli

Presidenca: Ja procedurat për shpalljen e zgjedhjeve në komunat në veri

Kryetarët e katër komunave bashkë me këshilltarët komunalë në veri të Kosovës, kanë dhënë dorëheqje, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat. Sipas ligjeve në fuqi, këto komuna Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani e Leposaviqi duhet të shkojnë në zgjedhje. Lidhur me këtë çështje janë deklaruar nga Presidenca.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha se “legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre”

Kupina, tha për Express se Presidentja ndërmerr veprimet e nevojshme duke përfshirë konsultimet me subjektet politike dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Mirëpo, Kupina ka thënë se ende nuk kanë pranuar njoftim zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për dorëheqjen e kryetarëve të komunave veriore.

“Legjislacioni në fuqi dhe praktika e përcaktojnë qartë procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në rastet kur kryetarët e komunave dorëhiqen nga posti i tyre. Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes”, tha ai për Express.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në adresë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, mirëpo të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Sveçla: 578 policë dhanë dorëheqje në Mitrovicën e Veriut, u rrezikohet jeta nëse nuk e bëjnë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut janë paraqitur afro 600 dorëheqje të zyrtarëve serbë.

“Zyrtarisht janë paraqitur 578 dorëheqje, prej të cilave 461 nga policia e rendit publik, 107 nga policia kufitare dhe 10 nga hetimi”, tha Sveçla në një konferencë për media.

Ai tha se policëve serbë u rrezikohet jeta nëse nuk japin dorëheqje, pasi janë të kërcënuar, raporton Gazeta Express.

“Dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve dhe shantazheve, me ç’rast rrezikohet edhe ekzistenca e vetë këtyre zyrtarëve policorë në rast se nuk japin dorëheqja”, tha ai.

Lista Serbe dorëzon mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës

Lista Serbe i ka dorëzuar mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e konfirmoi për Klan Kosova Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Lista Serbe, të shtunën bëri të ditur se do të largohen nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit për targat.

Ndërkaq, dje në Mitrovicë të Veriut u mblodhën qytetarë serbë, të cilët kërkuan tërheqjen e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.bw

Serbët në veri: Nuk duam tjetër shtet

Pamje nga protesta në Mitrovicë të Veriut, më 6 nëntor 2022.

RFE/RL

Në Mitrovicën e Veriut është duke u mbajtur një protestë – e thirrur nga Lista Serbe – për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS – Republika e Kosovës.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Ajo ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar “unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre”.

Fillimisht, punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe gjyqësorit të Kosovës, i janë drejtuar turmës me mesazhin se janë kundër “shkeljes së të drejtave elementare”, se nuk do të lejojnë “përzënien nga këto zona”.

Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë kanë thënë se nuk do të punojnë më për institucionet e Kosovës.

Sipas tyre, protestat po mbahen për të parandaluar “autoritetet e Kosovës që t’i ndajnë nga Serbia”.

Një ditë më parë, më 5 nëntor, në komunat veriore, ftesat për protesta janë vendosur në hapësira të ndryshme publike.

Në këto ftesa, qytetarëve u është bërë thirrje që të vendosin flamurin e Serbisë në pronat e tyre private, pasi flamujt të tillë veçse janë vendosur në hapësira publike.

Disa protestues serbë në veri.

Disa protestues serbë në veri.

Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.

Megjithatë, ekipet e Radios Evropa e Lirë në terren nuk kanë parë zyrtarë policorë me uniforma të policisë.

Kjo protestë vjen një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se vendimi për largim nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi derisa “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.

Lista Serbe, po ashtu, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa që lëshojnë autoritetet në Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.


Send this to a friend