VOAL

VOAL

Kosova përfiton 75 milionë euro nga Bashkimi Evropian

RFE/RL

Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar një marrëveshje financiare në vlerë prej 75 milionë eurosh në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor

Marrëveshja është nënshkruar në mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Fondet e përfituara të premten nga Kosova, përmes kësaj marrëveshjeje, do shfrytëzohen për sektorin e energjisë.

Marrëveshja hyn në fuqi nga 24 shkurti, tha Bislimi, duke shtuar se këto mjete do ndihmojnë në adresimin e ndikimit të krizës energjetike që Kosova, sikurse shtetet e tjera të Evropës, është duke e përjetuar.

“Ne menjëherë do të bëjmë kërkesë për disbursim të 90 për qind të fondeve të parapara me këtë marrëveshje. Pra për 67.5 milionë euro, të cilat pritet të disbursohen shpejtë në buxhetin e shtetit. Ndërkaq pjesa tjetër prej 7.5 milionë eurove do të shpërndahet gjatë vitit të ardhshëm pas plotësimit të kushteve të caktuara në marrëveshjen financiare”, tha Bislimi.

Edhe shefi i zyrës së BE-së, Tomas Szunyog, u shpreh se me këto mjete Kosova do ruajë qëndrueshmërinë e furnizimit me energji elektrike.

“Kjo është pjesë e 500 milionëshit si ndihmë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Arsyeja pse BE-ja ka mobilizuar këtë është sepse agresioni rus ndaj Ukrainës, ka pas ndikim në tregun botëror, posaçërisht në atë energjetik,” theksoi ai.

Që nga korriku i vitit të kaluar, Qeveria ka vendosur masa emergjente të energjisë për shkak të krizës energjetike të Kosovës.

Për të kursyer energjinë elektrike, Qeveria e Kosovës, në tetor të vitit të kaluar ka ndarë gjashtë milionë euro për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërkaq subvencionohen edhe faturat e konsumatorëve të cilët kursejnë energjinë elektrike.

Hovenier, falënderues për përkrahjen që Kosova i dha Ukrainës

Flamujt e Ukrainës të vendosur në sheshet kryesore të Prishtinës për përvjetorin e pushtimit rus

RFE/RL

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, u shpreh falënderues ndaj popullit të Kosovës për përkrahjen e treguar për Ukrainën në luftën kundër Rusisë, në një fjalim gjatë seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës në përvjetorin e nisjes së luftës në Ukrainë.

“Populli i Kosovës është pjesë integrale e këtij reagimi të unifikuar nga kombet demokratike. Ju u keni ofruar strehim ukrainasve që ikën nga lufta, keni qëndruar përkrah nesh dhe BE-së në vendosjen e sanksioneve”, tha Hovenier.

Ai, gjithashtu, shtoi se SHBA-ja dhe partnerët e saj do të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën siç kanë bërë deri tani, teksa tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka dështuar në tentimin e tij për ta përçarë bllokun e NATO-s.

Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore duke dënuar dhe vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të fqinjit të saj. Kosova, gjithashtu, ka strehuar disa gazetarë ukrainas, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Në këtë seancë solemne mori pjesë edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Sznunuyog.

Ai, gjithashtu, u shpreh mirënjohës që Kosova u është bashkuar shteteve perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, teksa tha se pushtimi i Ukrainës ka prekur të gjithë botën.

“Edhe pse lufta kishte filluar dhe ishte jashtë kufijve tanë, pasojat janë parë dhe janë ndier në të gjithë botën, përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti Kosovën”, tha Sznunuyog.

Të pranishmëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, iu drejtua edhe Luidmyla Makei, përfaqësuese e gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë.

“Dua t’ju tregoj sa më shumë për heroizmin e ushtarëve tanë, mijëra civilëve të vrarë dhe qyteteve të shkatërruara dhe sakrificat e përditshme që i bën vendi im. Unë thjesht dua t’ju them faleminderit”, tha Luidmyla.

Kjo seancë solemne – të cilin e nisi me një fjalim në përkrahje të Ukrainës kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama – është vetëm njëra nga ngjarjet e planifikuara në Kosovë për shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë.

Në orën 13:00, do të priten në hollin e Kuvendit të Kosovës gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë. Në këtë pritje do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvenit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.

Gjithashtu, në sheshet kryesore të Prishtinës janë vendosur flamuj kombëtarë të Ukrainës dhe mesazhe në mbështetje të saj.

Homazhet për qëndrueshmërinë e Ukrainës erdhën edhe nga vendet evropiane, ku monumente të njohura u ndriçuan me ngjyrat e Ukrainës – të verdhë dhe kaltër

Lufta në Ukrainë hyri në vitin e saj të dytë të premten.

Pushtimi rus i Ukrainës, që nisi më 24 shkurt 2022, është një prej konflikteve më vdekjeprurëse në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po ashtu, ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që prej krizës së raketave kubane të vitit 1962, kur Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-ja ishin afër një lufte bërthamore.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Kush i pengon serbët në Kosovë të aplikojnë për ndihmë nga Qeveria?

Flamuj të Serbisë të vendosur në Mitrovicë të Veriut. Fotografi ilustruese.

Sandra Cvetkoviq

Frikësimi i serbëve nga Kosova ka shkuar edhe një hap më tej – ata pengohen të aplikojnë për të marrë ndihmë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës.

Kështu thotë kreu i kësaj ministrie, Nenad Rashiq, me bindjen se politikanët lokalë në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, po bëjnë përpjekje që t’i pengojnë bashkëqytetarët e tyre, në mënyrë që ata të mos përfitojnë nga ndihma që u ofron Qeveria e Kosovës.

Në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë, pushteti mbahet nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës dhe e vetmja që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar për veprimtarinë e saj.

Deri në fillim të nëntorit të vitit 2022, Lista Serbe ishte në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim. Por, pasi Goran Rakiq (kryetar i Listës Serbe) dha dorëheqjen, si pjesë e braktisjes kolektive të institucioneve të Kosovës në veri të vendit nga serbët, kryeministri Albin Kurti ia dha atë pozicion Nenad Rashiqit nga Partia Demokratike Progresive në opozitë.

Asokohe, Lista Serbe reagoi ashpër me pretendimet se një vendim i tillë ishte “i paligjshëm”, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Nenad Rashiqin “llumi më i keq serb”.

Frika nga pasojat për shkak të lirisë së shprehjes

Radio Evropa e Lirë (REL) kontaktoi disa persona, të cilët dorëzuan kërkesat e tyre për ndihmë dhe më pas i tërhoqën ato, por nuk deshën të flasin publikisht për këtë temë.

Po ashtu, disa pjesëtarë të komunitetit serb nga disa komuna të ndryshme, pohuan se as që kanë guxuar të aplikojnë për ndihmë nga frika se mos i pësojnë pasojat, gjegjësisht, se nuk do të realizojnë punësimin që presin ose se dikush nga anëtarët e familjes do të humbasë punën. Sërish, ata nuk duan të shprehin frikën e tyre publikisht.

Një numër i madh i serbëve në Kosovë punojnë në institucione arsimore, shëndetësore dhe institucione të tjera që funksionojnë brenda sistemit serb, në krye të së cilave janë kryesisht njerëzit e Listës Serbe, të afërt me Partinë Progresive Serbe në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.

Në fillim të shkurtit, Ministria për Komunitete dhe Kthim shpalli konkurs për ndihmë në disa kategori – ndërtim ose rinovim shtëpish, ndarje të materialeve për ndërtim, mobilieve, teknikës së bardhë, pakove ushqimore dhe higjienike. Vlera e përgjithshme e kësaj ndihme është dy milionë euro.

Sipas ministrit Rashiq, deri më tani kanë pranuar 3.400 aplikime dhe konkursi është i hapur deri më 24 shkurt.

A po i sabotojnë komunat qytetarët e tyre?

Ata që nuk u kushtuan vëmendje pasojave të mundshme dhe vendosën të aplikojnë për ndihmë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, fillimisht duhej të merrnin dokumente nga komuna e tyre, si certifikata e pronësisë ose deklarata për amvisëri të përbashkët.

Banorët lokalë kanë hasur në vështirësi për t’u pajisur me këto dokumente, ndërkaq Radio Evropa e Lirë (REL) ka identifikuar raste të tilla në komunën e Shtërpcës.

Megjithatë, ata nuk kanë dashur që emrat e tyre të përmenden publikisht, por dyshimet e tyre për parregullsi të nxjerrjes së dokumenteve i kanë denoncuar në Polici. Një gjë e tillë është konfirmuar nga Policia e Kosovës për REL-in.

“Ne, në konsultim me Prokurorinë, kemi iniciuar shkresën zyrtare”, tha Dragan Stevanoviq, komandant i stacionit policor në Shtërpce, duke sqaruar se rasti është në fazën e hetimeve dhe se nuk mund të japë detaje të tjera.

Danijel Vasileviq, këshilltar i ministrit për Komunitete dhe Kthim, thotë se banorët e Shtërpcës i janë drejtuar për ndihmë dhe se janë të frikësuar.

“Jemi të sigurt se kryetari i komunës, përmes njerëzve të tij, ndikon drejtpërdrejt në disa zyrtarë komunalë që t’ua vështirësojnë aplikimin qytetarëve”, thotë Vasileviq, i cili është nga Shtërpca.

REL-i i ka dërguar pyetje Komunës së Shtërpcës për të marrë një reagim lidhur me akuzat e Vasileviqit, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.

Kryetar i Komunës së Shtërpcës është Dalibor Jevtiq nga Lista Serbe, i cili më parë ka shërbyer si ministër për Komunitete dhe Kthim për disa mandate.

Më 21 shkurt, Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u bëri thirrje autoriteteve lokale që të mos i “bllokojnë dhe ndalojnë bashkëqytetarët që të aplikojnë për ndihmë”.

“Ky është sigurisht një precedent psikologjik, moral dhe sociologjik që kam parë në jetën time. Ju, në fakt, i ndaloni bashkëqytetarët tuaj, të afërmit tuaj, fqinjët tuaj, miqtë tuaj, që të jenë fitues të mjeteve të dhëna për ta”, u tha Rashiq gazetarëve pas vizitës në një familje të rrezikuar sociale në territorin e komunës së Graçanicës.

“Frikësimet” e mëhershme të serbëve

Kjo nuk është hera e parë që serbët në Kosovë frikësohen apo u bëhet shantazh, në situata të ndryshme.

Për shembull, disa punëtorë në gjyqësor apo në administratën lokale më herët kanë konfirmuar për REL-in se janë detyruar të japin dorëheqje, pasi më 5 nëntor të vitit të kaluar u vendos që përfaqësuesit e komunitetit serb t’i braktisin kolektivisht institucionet e Kosovës.

Po ashtu, ka pasur raste kur punonjësve të institucioneve serbe në veri të Kosovës iu është ndaluar t’i shfrytëzojnë pushimet vjetore për shkak të situatës politike.

Ata u kërcënuan se mund të pushoheshin nga puna nëse nuk do t’u bindeshin urdhrave të drejtorëve të tyre.

Punonjësit në institucionet serbe shpeshherë e kishin obligim pune të dilnin në protesta për shkak të situatës politike apo barrikadave, madje edhe në zgjedhjet e Kosovës, në të cilat kryesisht duhej të mbështesnin Listën Serbe, partinë kryesore politike serbe në Kosovë.

Organizatat ndërkombëtare dhe vendore, me vite kanë vënë në dukje se serbët në Kosovë po kërcënohen dhe kjo është arsyeja pse shumica kanë frikë të flasin publikisht për pikëpamjet e tyre politike.

Hulumtimi “Analiza e trendëve” i organizatës joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut për vitin 2021, ka treguar se 70 për qind e të anketuarve në komunat me shumicë serbe në Kosovë “nuk ndihen të lirë t’i shprehin publikisht pikëpamjet politike”.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Kosova miraton marrëveshjen për lëvizjen me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor

RFE/RL

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar të enjten Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja pritet të votohet gjatë 23 shkurtit edhe në Këshillin e Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Nëse miratohet, e njëjta dërgohet më pas për miratim në Parlamentin e Bosnje e Hercegovinës.

Pas hyrjes në fuqi, ajo do të mundësojë lëvizjen pa viza të qytetarëve nga Kosova dhe Bosnja.

“Në këtë mënyrë Prishtina dhe Sarajeva krijojnë një urë të re institucionale, por sidomos qytetare që është pritur moti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas miratimit.

Kjo marrëveshje është një prej tri marrëveshjeve të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe qytetarët e të dyja shteteve duhet të pajisen me vizë nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse.

Më 2014, Kosova vendosi masën reciproke sa i përket regjimit të vizave për shtetasit e Bosnje e Hercegovinës.

Regjimi i vizave ka penguar udhëtimet e qytetarëve që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Radio Evropa e Lirë, vitin e kaluar solli rrëfimet e disa qytetarëve, të cilët thanë se po presin që të ndodhë heqja e vizave, pasi kjo do të nënkuptonte për ta “fundin e agonisë”.

Vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën edhe marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve.

Të dyja këto marrëveshje u ratifikuan gjithashtu më 23 shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Hovenier: SHBA, krenare për bashkëpunimin me Forcën e Sigurisës së Kosovës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Diplomati amerikan e ka vlerësuar FSK-në për misionin e kërkim shpëtimit pas tërmetit që goditi Turqinë. “Shtetet e Bashkuara shprehin mirënjohjen e tyre të thellë për FSK-në, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe ekipet mjekësore ndërsa kthehen në shtëpi në Kosovë. Ekipi i FSK-së kreu operacione të suksesshme të ndihmës në Turqi dhe shpëtoi disa jetë. SHBA-të janë krenar për parneritetin me FSK-në”, ka shkruar ai në Twitter, njofton RTK.

39 pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët përgjatë dy javëve kanë shërbyer si ekipe të ndara në disa rajone në operacionet e kërkim shpëtimit pas tërmetit me pasoja tragjike në Turqi, janë nderuar me medalje.syri.net

Dhomat e Specializuara bastisën banesën e ish këshilltarit të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Foto nga demokracia.com

VOA

Për rreth 10 orë me radhë, është bastisur në Prishtinë banesa e Adil Behramajt, ish këshilltar politik i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Artan Qerkini, avokat i zoti Behramaj tha se bastisja është kryer me “urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara… në lidhje me një pretendim të Prokurorisë së Specializuar, për një vepër penale e cila sipas tyre, është brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”, por sipas tij, nuk është përcaktuar qartë se për çfarë vepre bëhet fjalë.

Zyrtarë të Prokurorisë në Hagë thanë se nuk mund të komentojnë hetimet.

Zoti Behramaj aktualisht drejton gazetën në internet demokracia.com. Ai nuk bëri ndonjë koment lidhur me bastisjen.

Zoti Behramaj shërbeu si këshilltar i ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi deri në nëntor të vitit 2020, kur ai u arrestua dhe u dërgua në Hagë, bashkë me ish udhëheqës të tjerë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku po mbahen nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e Posaçme tha se procesi gjyqësor ndaj ish presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pritet të fillojë me 3 prill.

Të martën në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.

Gjykata e Posaçme e Kosovës e njohur si Dhomat e Specializuara me seli në Holandë dhe me personel ndërkombëtar, u krijua në vitin 2015 për të trajtuar në bazë të ligjeve të Kosovës pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës.

Sveçla tregon provat: Grupe të orkestruara nga Beogradi po synojnë ta destabilizojnë Kosovën

Policia e Kosovës dje, në veri të vendit, ka konfiskuar 6.300 fishekë të futur kontrabandë nga Serbia. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, reagoi në Fb lidhur me operacionin në të cilin u kap një sasi e konsiderueshme armatimi, për të cilin akuzoi Beogradin, grupe të caktuara të mbështetura pej tij që kanë synim të krijojnë trazira në Kosovë.

“Ndërsa Vuçiç flet për armatosje të Serbisë, – shkroi Sveçla, – në veri të Kosovës konfiskohen 6.300 copë municion të kontrabanduar nga Serbia. 6.300 sasi të municionit janë konfiskuar sot (21.2) nga Njësiti i Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit në Joshanicë, në veri të Kosovës. Gjatë patrullimit është ndaluar vetura e dyshimtë me targa të Serbisë e një shtetasi serb dhe njësitet relevante tashmë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Kjo rithekson sërish faktin se grupe të caktuara, të orkestruara dhe mbështetura nga Beogradi synojnë dhe angazhohen maksimalisht që të destabilizojnë vendin tonë.
Do të vazhdojmë pandalshëm angazhimin tonë në luftimin e çdo lloj kriminaliteti që synon të cënojë sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë.” syri.net

Hapet procesi gjyqësor ndaj Pjetër Shalës në Hagë

VOA

Të martën në Gjykatën e Posaçme të Kosovës në Hagë u hap procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

I arrestuar më 16 mars të vitit 2021 në Belgjikë, Pjetër Shala i njohur gjatë luftës në Kosovë me nofkën “komandant Ujku”, akuzohet për veprat penale; ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme gjatë periudhës së luftës në Kosovë.

Sipas akuzës që është ngritur më 12 qershor të vitit 2020 dhe konfirmuar në nëntor të vitit 2021, “krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit të vitit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Prokurorët thanë se zoti Shala ishte pjesë e një grupi kriminal që arrestoi dhe keqtrajtoi rëndë të paktën 18 persona që konsideroheshin si spiunë ose bashkëpunëtorë të serbëve.

Prokurori Alex Whiting tha se Pjetër Shala kishte kryer një vrasje duke marrë pjesë në rrahjen e një burri dhe duke e qëlluar atë në këmbë, që i kishte shkaktuar gjakderdhje viktimës për disa orë.

Zoti Shala tha sot se ndjehet i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave të ngritura kundër tij. “Unë nuk pranoj asgjë, është e gjitha e sajuar”, tha ai.

Prokuroria tha se deri më tani janë paraqitur tetë persona në cilësinë e viktimave në procesin ndaj Pjetër Shalës.

Ky është procesi i dytë gjyqësor në Gjykatën së Posaçme në Hagë ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e shpalli fajtor dhe e dënoi me 26 vjet heqje lirie Sali Mustafën një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte.

Aktualisht në Hagë ndodhen edhe ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët u arrestuan në nëntor të vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre pritet të fillojë në muajin prill.

Gjykata e Posaçme që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Ngritja e gjykatës së posaçme si dhe ngritja e akuzave janë shoqëruar vazhdimisht me reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Osmani: Rusia po tenton ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Rusia po përpiqet që ta destabilizojë Kosovën përmes Serbisë.

Në një intervistë për Sky News, Osmani tha se përmes metodave të përdorura në Ukrainë në vitin 2014, Rusia po synon ta bëjë të njëjtën gjë edhe në Ballkan.

“Ata sjellin forca paraushtarake që janë të veshura me civilë brenda territorit tonë përmes rrugëve ilegale, pastaj dërgojnë armë dhe uniforma jeshile pa shenja që të mos duket si sulm tradicional ushtarak. Por, në fakt, ata përgatitin shumë sulme hibride, që është një përzierje e asaj që bëjnë këto forca paraushtarake në veri të Kosovës”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës e akuzoi presidentin e Rusisë Vladimir Putin, se që konfliktin ta zhvendos në Kosovë dhe vendet e tjera si: Moldavia dhe Gjeorgjia.

“Ajo që ai po përpiqet të bëjë është të largojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina. Mënyra se si ai do të mund ta bënte këtë është duke krijuar konflikte të tjera në Evropë, pavarësisht nëse po flasim për Moldavinë, Gjeorgjinë apo Ballkanin Perëndimor”, shtoi ajo.

Vjosa Osmani shtoi se komuniteti ndërkombëtar nuk po bën sa duhet për të penguar Rusinë.

Osmani këtë intervistë e ka zhvilluar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Intervista u zhvillua në prag të njëvjetorit të agresionit rus në Ukrainë. syri.net

Ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv: Urime Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë!

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, uroi Republikën e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë!

“Pres me padurim rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë dypalësh”, shkruan ambasadorja Ziv.

 

Postimi i Ambasadores Tamar Ziv në Twitter

Urimet më të përzemërta miqve tanë në Republikën e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë!


Pres me padurim rritjen e mëtejshme të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit tonë dypalësh. #Izrael #Kosova15Vjet

 

 

Ambasadorja e Izraelit, Tamar Ziv: Urime Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë!

Foto jubilare: Ushtria e Kosovës

NUk do të jetë e vonët dita kur Ushtria e Kosovës, e formuar sipas standarteve të Aleancës Euro-Atlantike do të jetë anëtare e NATO-s.

Me parakalimin e FSK-së dhe Policisë, Kosova shënon 15-vjetorin e pavarësisë

Parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në sheshet e Prishtinës në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Prishtinë, 17 shkurt 2023

RFE/RL

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës parakaluan në sheshet e Prishtinës, në shënimin e 15-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Qytetarë të shumtë ndoqën këtë ngjarje, teksa në Kosovë po mbahen manifestime të ndryshme për të shënuar 15-vjetorin e shtetësisë.

Më herët gjatë ditës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se përgjatë 15 vjetëve të shtetësisë, Kosova është forcuar si vend i ri.

“Kosova ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve”.

Kur ka folur për sfidat – brenda dhe jashtë territorit– ajo ka thënë se ato e kanë forcuar qëndrueshmërinë e shtetit.

“Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike”.

Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.

“Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndjejmë dhe të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka thënë ajo.

Kur ka folur për aleatët, ajo ka përmendur se “siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimeve evropiane me ndihmën e tyre”.

Përgjatë fjalimit të saj, ajo e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog. Një epilog që e kemi thënë secili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti [amerikan, Joe] Biden në letrën që është drejtuar mua si presidente, e ajo është njohja reciproke”.

“Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridike dhe sovraniteti jonë janë të panegociueshme”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Kurti: Kosova është shembull i mirë i demokracisë

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e shtetësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe.

“Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”.

Ai ka përmendur dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës: trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja.

“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.

Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Osmani: Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit

RFE/RL

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë para Kuvendit të Kosovës se përgjatë 15 vjetëve të shtetësisë, Kosova është forcuar si vend i ri.

“Kosova ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve”.

Kur ka folur për sfidat – brenda dhe jashtë territorit– ajo ka thënë se ato e kanë forcuar qëndrueshmërinë e shtetit.

“Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që të fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euro-atlantike”.

Duke përmendur në veçanti sfidat me Serbinë, ajo ka thënë se populli “duhet të jetë një”.

“Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndjejmë dhe të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave. Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit”, ka thënë ajo.

Kur ka folur për aleatët, ajo ka përmendur se “siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimeve evropiane me ndihmën e tyre”.

Përgjatë fjalimit të saj, ajo e ka përmendur edhe dialogun me Serbinë.

“Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog. Një epilog që e kemi thënë secili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe presidenti [amerikan, Joe] Biden në letrën që është drejtuar mua si presidente, e ajo është njohja reciproke”.

“Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridike dhe sovraniteti jonë janë të panegociueshme”, ka thënë mes tjerash Osmani.

Kurti: Kosova është shembull i mirë i demokracisë

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e shtetësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e shtetësisë së Kosovës.

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, Kosova është projekt i paqes, kontribuuese në paqe dhe garanci për paqe.

“Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre”.

Ai ka përmendur dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës: trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për gjeneratat e reja.

“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”.

Kosova është nën trysni gjithnjë e më të madhe për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë ato financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Krerët e Kosovës bëjnë nderime te varri i Rugovës dhe Demaçit

Në ditëlindjen e 15 të pavarësisë së Kosovës homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, kanë bërë krerët e shtetit të Kosovës dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca bashkë me presidentin shqiptar, Bajram Begaj, kanë vazhduar homazhet dhe nderimet edhe te varri i veprimtarit, Adem Demaçi.

Për shënimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Pas mbledhjes festive të Qeverisë, është bërë ngritja solemne e Flamurit të Republikës së Kosovë. Krerët shtetërorë bënë homazhe edhe te Monumenti i të Pagjeturve. Ndërsa, janë paraparë edhe homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.

Po ashtu, për nder të 15 vjetorit të pavarësisë në sheshet e Prishtinës, do të parakalojnë ushtarët e Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës.

E përvec seancës solemne të Kuvneidt të Kosovës, në orën 17:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka organizuar pritje shtetërore.

Kujtojmë që më 17 shkurt të vitit 2008, në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës është shpall pavarësia e Kosovës. Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.syri.net

NEWBORN këtë vit me mesazh kundër Asociacionit

Prishtinë – Si çdo vit edhe këtë herë monumenti NEWBORN ka marrë pamje të re me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Mesazhi i këtij viti që jep ky monument i pavarësisë, është kundër Asociacionit monoetnik i cili po vazhdon të jetë tema aktuale në politikë.

Përmes ngjyrave kaltër dhe verdhë, shihet se mesazhi për këtë vit i monumentit është “No new broken republic”. syri.net

Kurti: Beogradi po përdor serbët e veriut për të minuar statusin demokratik të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Beogradi nuk i ka prioritet të drejtat e serbëve në veri, por ajo që Serbia kërkon është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin demokratik të Kosovës.

“Nuk kam përshtypjen se ajo që synon Beogradi janë të drejtat e serbëve, ajo që ata kërkojnë është përdorimi i pranisë së serbëve për të minuar statusin tonë demokratik”, citohet të ketë thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti për agjencinë franceze të lajmeve AFP në një artikull që kjo media i ka kushtuar situatës në veri.

Përkundër vakumit të sigurisë, autoritetet në Prishtinë këmbëngulin se situata në veri mbetet nën kontroll, thuhet në artikullin e AFP-së, të cilin e ka transmetuar sot mediumi francez, France24.

Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla hodhi poshtë pretendimet për vakum sigurie në veri, duke thënë se qeveria mbetet e përkushtuar për “ligj dhe rend”.

“Policia e Kosovës është më funksionale se kurrë atje”, tha Sveçla për AFP.

“Ka vështirësi, kjo është e qartë. Por këto vështirësi po krijohen si rezultat i veprimeve të grupeve kriminale atje, të cilat gjithashtu mbështeten dhe promovohen nga Serbia”, citohet të ketë thënë ministri  i Brendshëm.

Siç është bërë e ditur dje, interesim të vogël ka pasur për zëvendësimin e policëve në veri.

Sipas raportimeve, rreth 140 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë aplikuan në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe. syri.net

Kosova strehon edhe një gazetare afgane

Gazetarja afgane, Nadia Gulabzada, mbërrin në Kosovë, më 14 shkurt 2023.

RFE/RL

Në Kosovë është strehuar edhe një gazetare afgane, duke e çuar në 5 numrin e gazetarëve afganë që do të qëndrojnë në vend për dy vjetët e ardhshëm.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), njoftoi se gazetarja Nadia Gulabzada ka mbërritur në Prishtinë mëngjesin e së martës.

Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.

Dy javë më parë në Kosovë mbërritën edhe gazetarët Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad.

Të pesë gazetarët do të strehohen në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Qeveria e Kosovës tha se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë.

Përzgjedhja e gazetarëve që strehohen në Kosovë u bë nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Kosova, gjithashtu, ka strehuar disa gazetarë ukrainas dhe u ka ofruar kushte të njëjta sikurse atyre afganë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Në gusht të vitit 2021, kur talibanët rimorën pushtetin në Afganistan, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga ky regjim.

Kosova ka strehuar përkohësisht 1.893 refugjatë afganë dhe më pas ata janë dërguar në SHBA dhe në shtete të tjera.

Kryeministri: E pranuam propozimin franko-gjerman, pasi ndërkombëtarët na thanë që ishte ‘merre ose leje’

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që se e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, pasi në të kundërtën Kosova do të hynte në rrugën e konfrontimit me aleatët.

Kurti gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë që e kanë pranuar propozimin franko-gjerman, pasi emisarët ndërkombëtarë ia bënë të qartë se ky propozim është shumë afër formatit “merre ose leje”.

“Më datë 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është pranë formatit “leje ose merre” dhe se nuk do të lejohet hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vini emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, tha Kurti. syri.net

Prodhimet serbe përballë bojkotit në Kosovë

Shkelqim Hysenaj

Produktet me origjinë nga Serbia vazhdojnë të zënë një hapësirë të madhe në shportën e konsumatorëve në Kosovë, edhe pse kohëve të fundit janë bërë më të shpeshta thirrjet për bojkotimin e tyre.

Gjatë vitit 2022, Kosova importoi nga Serbia produkte në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa eksportoi atje gjashtë herë më pak, përkatësisht 60.7 milionë euro produkte.

Në rrjetin social Facebook ka kohë që është formuar një grup me emrin “Mos bli prodhime serbe”, i cili numëron mbi 110 mijë anëtarë.

Kjo thirrje duket se ka ndikuar te disa qytetarë që ta verifikojnë vendin e origjinës së produktit para se ta blejnë atë.

Hasime Maliqi

Hasime Maliqi

“Po gjejmë produkte vendore, po ashtu ka produkte nga shtetet e tjera. Nuk kemi nevojë t’i marrim të Serbisë”, thotë Hasime Maliqi, banore në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tregon se në shtëpinë e saj nuk ka asnjë produkt të Serbisë – nisur nga pijet freskuese deri te mëlmesat.

“Si ta shoh flamurin në raft, nëse është i Serbisë, nuk afrohem as ta këqyr”, thotë ajo.

Bashkëqytetarja e saj, Valbona Olluri, thotë se ka vepruar ngjashëm.

“Ne nuk i blejmë këto [produkte] të Serbisë. S’e përdorim më vajin e Serbisë. Po e blejmë të Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër. Edhe produktet e tjera në kuzhinë… vetëm vendore ose të ndonjë shteti tjetër”, thotë Olluri.

Endrit Binakaj, përkrahës i fushatës online “Mos bli prodhime serbe”, thotë se, prej vitesh, nuk blen produkte me origjinë nga Serbia. Qëllimi kryesor i tij thotë se është t’i mbështesë prodhuesit vendorë.

“E kam parë edhe në rrethin tim që është një ngritje e vetëdijes për t’i bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Kjo po vërehet nga secili prej nesh që frekuentojmë dyqanet, sepse produktet serbe po shiten me zbritje të mëdha, pasi ato kanë mbetur në rafte të dyqaneve dhe nuk i blen askush”, thotë Binakaj për Radion Evropa e Lirë.

Raftet e një dyqani në kryeqytet me produkte serbe në zbritje.

Raftet e një dyqani në kryeqytet me produkte serbe në zbritje.

Ai dhe mbështetës të tjerë të fushatës thonë se ajo është motivuar nga kundërshtimi politik që Serbia i bën shtetit të Kosovës.

Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Serbia nuk e njeh ende atë. Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Në Kosovë ka pasur shpesh thirrje për bojkotimin e produkteve serbe, përfshirë edhe nga partitë opozitare, ndërsa e fundit “Mos bli prodhime serbe” është aktualizuar në fillim të muajit dhjetor, pak kohë para festave të fundvitit, kur zakonisht ka rritje të ndjeshme të sasisë së produkteve që blejnë qytetarët.

Por, përkundër saj, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vlera e importit nga Serbia ka qenë më e madhe në muajin janar të këtij viti sesa në janar të vitit 2022.

Sipas tyre, këtë janar, vlera e produkteve të importuara serbe ka qenë 17 milionë e 804 mijë euro, krahasuar me janarin e kaluar, kur ka qenë 16 milionë e 311 mijë euro.

Se cili ka qenë ndikimi i fushatës “Mos bli prodhime serbe” më vonë, mbetet të shihet, por, sipas njërit prej mbështetësve kryesorë të saj, Burim Piraj, njëherësh pronar i fabrikës së mishit “Meka” në Prizren, qytetarët, në masë të madhe, janë duke refuzuar blerjen e prodhimeve nga Serbia.

“Fushata jonë ka ndikuar që të rritet patriotizmi ekonomik në vend, i cili na ka munguar për shumë kohë dhe po reflekton tani te prodhuesit vendorë… pasi produktet e tyre po shiten më shumë”, thotë Piraj për Radion Evropa e Lirë.

Në qytetin e Ferizajt, dyqani ushqimor “Plus Center” ka vite që nuk mban në raftet e tij produkte ushqimore me origjinë nga Serbia.

Në këtë biznes thonë se largimin e këtyre produkteve e kanë bërë për ta “edukuar” konsumatorin që të konsumojë produkte vendore.

“Artikuj vendorë ka sa të duash, mall ka sa të duash, ushqime vendore ka sa të duash”, thotë Remzi Bytyqi, menaxher në këtë biznes.

“Prej se është aktualizuar fushata ‘Mos bli prodhime serbe’, e kemi një fluks më të madh të konsumatorëve. Viti i kaluar ka qenë vit që e kemi përmbyllur me një sukses shumë të madh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

A janë rritur çmimet e prodhimeve vendore?

Disa qytetarë, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se kanë vërejtur rritje çmimesh.

“Ne nuk po i blejmë të Serbisë, por është fakt se janë shtrenjtuar produktet vendore, si: vaji, mielli, vezët etj.”, thotë Valbona Olluri.

“Të gjitha produkteve u është rritë çmimi, por së paku këtyre vendoreve nuk duhet t’u rritet aq shumë”, thotë edhe Hasime Maliqi.

Ankesa për rritje çmimesh, të dëshmuara me fotografi, janë postuar edhe në Facebook, në grupin “Mos bli prodhime serbe”.

Binakaj, përkrahës i kësaj fushate, thotë se prodhuesit nuk duhet ta shfrytëzojnë situatën për të përfituar “në kurriz të konsumatorëve”.

“Nuk është një veprim i mirë i bizneseve që ta shfrytëzojnë rastin, t’i rrisin çmimet dhe ta dëmtojnë konsumatorin”, thotë Binakaj.

Një konsumatore duke shikuar flamujt e origjinës së produkteve.

Një konsumatore duke shikuar flamujt e origjinës së produkteve.

Remzi Bytyqi, nga kompania “Plus Center”, pranon se ka parë komente të shumta të qytetarëve që ankohen për rritje të çmimeve të produkteve vendore. Por, ai thotë se prodhuesit vendorë, në disa raste, kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet, për shkak se është shtrenjtuar lënda e parë që ata e importojnë për prodhime të caktuara.

Sipas tij, prodhuesit vendorë mund të gjejnë zgjidhje për të ruajtur “trendin e mirë” të prodhimeve të tyre.

“Të punojnë me një marzhë më të vogël të fitimit që të mos zhgënjehen qytetarët”, thotë Bytyqi.

Si pasojë e fushatës "Mos bli prodhime serbe", shumë artikuj me origjinë nga Serbia po shiten me zbritje.

Si pasojë e fushatës “Mos bli prodhime serbe”, shumë artikuj me origjinë nga Serbia po shiten me zbritje.

Ngjashëm shprehet edhe Burim Piraj, i cili është edhe vetë prodhues.

“Ne po mendojmë se kjo tezë e shtrenjtimit të produkteve vendore është lansuar nga ato subjekte, të cilave nuk u konvenon që të mos blihen produktet serbe, pra që ta dekurajojnë qytetarin kosovar nga fushata jonë”, thotë Piraj, pa specifikuar se për kë e ka fjalën.

Inspektorati i Tregut: Shitësit po mashtrojnë me flamujt e origjinës

Inspektorati i Tregut, autoritet në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë (MINT), thotë për Radion Evropa e Lirë se konsumatorët ndodh që mashtrohen në lidhje me produktet serbe, pasi shitësit vendosin etiketa të rreme në produkte.

“Në rastet më të shpeshta është duke u vendosur etiketa e flamurit të shteteve të Evropës në produktet që janë me origjinë të shteteve fqinje, përfshirë edhe Serbinë”, thonë nga ky inspektorat.

Për këto lloje mashtrimesh, gjatë vitit të kaluar, atje janë dorëzuar 1.200 ankesa. Ndërsa, gjatë janarit të këtij viti, qytetarët kanë dërguar në këtë institucion 119 ankesa.

Nga Inspektorati i Tregut nuk japin numër të gjobave apo masave të shqiptuara, por thonë se “është një numër i lartë i rasteve të identifikuara për mashtrim me vendin e origjinës së produktit”.

Përveç nga Serbia, Kosova importon edhe nga vendet e tjera të Ballkanit, nga Bashkimi Evropian, nga Turqia e të tjera, por deficiti tregtar për të është shndërruar në fenomen tash e sa vite.

Disa pronarë të TV-ve në Kosovë bastardues të informacioneve ftojnë “analistë” që nuk i njeh kush Nga Halit Barani

O ju mjeranë, ju fundrrina, ju disa pronarë të TV-ve në Kosovë, që keni zënë vend nëpër vende të huja pune, a i pyetni najherë ata që i ftoni nëpër debate kush janë, pse janë këtu në Mitrovicë, përkatësisht në Kosovë, pse kanë ikur nga qytete tjera të Kosovës e kanë nxanë vend në pjesën e okupuar të Mitrovicës, përkatësisht Kosovës e tash qenkan bërë “analistë” tregoni popullit të Kosovës se juve nuk ju intereson fare kush ju vjen në debate, është kriminel, është hajn, është bandit që merret me kontrabandë të palejuar, është vrasës i shqiptarëve gjatë luftës së UÇK-së etj. etj.

Ju shumë të “menqurit” , ju basterdhues të informacioneve, ju që dje mendoni se jeni bërë gazetarë, udhëheqës të ndonj TV-je. Kur e ftoni një x-iks përson a ja dini veprimtarin e deritanishme apo vetëm e keni për qëllim të mbuloni programin e juaj…?!

Po e shoh që sa herë që e ftoni nëpër debate një farë “gazetari” të qujtur, Branislav Krstiq, po prej nga është aj farë “gazetari”, kah ka ardhur, ku ka punuar si gazetar.

Unë përsonalisht që nga 27 marsi 1989 jam veprimtar dhe ushtar i kombit tim, vendit tim, tokës së pamatur. Kam pasur shumë punë me gazetarë të shteteve të ndryshme, gazetave shqiptare, serbe, gazetar të agjensioneve të jashtme por asnjëherë nuk paskna ndëgju për këte farë “gazetari”, tregoni ju që po e ftoni në debate kush është prej kah erdhi në Kosovë apo ka qenë në Kosovë, ndoshta edhe ka qenë në Kosovë por jo edhe në Mitrovicë, kah tani doli se aj jeton në Mitrovicë, pyteni kur ka ardhur, prej nga ka ardhur, ku ka punuar si gazetar para lufte, gjatë lufte dhe pas lufte, përkatsisht deri ka dalur në sipërfaqe ku ka qen. Kush na qeka aj që tani prezentohet si analist po i ditka të gjitha, kush …?!

Ka edhe shumë të tillë, do farë fëmiaqash që as familja e vet nuk i njeh, mos t’ua përmendi tani me emër e mbiemër, do farë “parlamentarësh” që fare nuk e din ku është Ura e Ibrit, nuk kanë qenë kurrë në pjesën e okupuar, ata shkojnë në Bajgorë, Ceraj, Bistricë, koshtovë e Vllahisë, në lagjën “Kroi i Vitakut”, Lagjëne “Boshnjakve” dhe dalin në media “dje kesh në pjesën e okupuar, jo ata e quajn pjesa veriore, po ku na qenka pjes jugore, lindore, përendimore e qëndrore ku…?!

 

Halit Barani është Kryetar i KMDLNJ, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Republika e Kosovës, Mitrovicë

Kurti: Për shkak të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro që nga viti 1999

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se që nga viti 1999, për shkak të veprimeve të Serbisë, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro nga faturat e rrymës dhe ujit që serbët në veri nuk kanë paguar.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se për mospagesën e faturave në veri nuk kanë faj serbët që jetojnë atje, por ai për këtë fajësoi “strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia”.

“Që nga viti 1999, Kosova ka humbur mbi 300 milionë euro për shkak të veprimeve të Serbisë, sikurse janë mbajtja e tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që të paguajnë TVSH-në te Serbia për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi, i kushton Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, shkroi Kurti.

Sipas tij, 320 milionë euro janë humbur nga faturat e papaguara të rrymës dhe 17 milionë të tjera nga ato të ujit.

Megjithatë, Kurti tha se nëse do të paguheshin këto fatura, atëherë institucionet qendrore do të mund të bënin më shumë investime në këtë pjesë, që sipas tij do të përmirësonin kualitetin e shërbimeve për qytetarët.

“Ata [qytetarët] kanë të drejtë të kenë qasje në shërbime të tilla dhe të jetojë të lirë nga krimi i organizuar, presioni dhe kërcënimet nga strukturat ilegale, që udhëhiqen nga Serbia. Qeveria ime është e përkushtuar që të përmirësojë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe t’u ofrojë atyre lirinë dhe sigurinë që e meritojnë”, shkroi Kurti.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, më 2013 kanë arritur Marrëveshje për energjinë, që synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në veri, të banuar me shumicë serbe.

Por, kjo marrëveshje nuk është zbatuar dhe në qershor të vitit 2022, palët arritën pajtueshmëri për zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për energjinë, përmes një udhërrëfyesi për energjinë.

Megjithatë, as ky udhërrëfyes nuk është zbatuar dhe gjatë vitit të kaluar, BE-ja ka pranuar se ka vonesa në zbatimin e tij, duke theksuar se përgjegjësinë përfundimtare për zbatimin e udhërrëfyesit e kanë Kosova dhe Serbia.

Rada Trajkoviç: Vuçiç i tërhoqi serbët nga institucionet e Kosovës për interesa të mafias

 

Fotomontazh: Trajkoviç dhe Vuçiç

Rada Trajkoviç, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës dhe këshilltare e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiç e përdori mafien për të integruar me forcë serbët nga veriu i Kosovës në institucionet e Prishtinës.

Sipas saj, Vuçiq nuk ka vendosur që serbët të tërhiqen nga institucionet e Kosovës për shkak të interesave serbe, por sepse mafia nuk mund të përfitonte më.

Kur është fjala për negociatat ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Trajkoviç në një intervistë për “Nova.rs” thekson se prioritet i parë duhet të jetë qetësimi i situatës së sigurisë.

Duke folur për situatën në Kosovë, ajo ka thënë se pozita e serbëve është e rrezikuar pasi, siç thotë ajo, me marrëveshjen e Brukselit presidenti serb Aleksandar Vuçiç është “integruar me mafian”.

“Dhe atë mafi e udhëhiqte Milan Radoiçiq. Ajo mafi përdori metoda të ndryshme detyrimi për t’i bërë serbët të pranonin të ishin pjesë e institucioneve të Kosovës. Ata i detyruan serbët të bëhen gjyqtarë që betohen para Thaçit, të kenë një forcë policore plotësisht besnike ndaj Prishtinës dhe të nënshkruajnë obligimin e besnikërisë ndaj Republikës së Kosovës në pushtetet lokale”, thotë Trajkoviq.

Ajo thekson se serbëve u është bërë dëm i madh nga kjo sjellje.

“Kur mafia përpiqet të integrojë serbët, përfundon ashtu siç përfundoi. Në një ditë, kur mafia e ndjeu se nuk mund të fitonte më përmes këtyre institucioneve dhe me një mënyrë të tillë funksionimi, atëherë i tërhoqi. Vuçiq nuk i tërhoqi [serbët] për shkak të interesave serbe, por sepse filloi kontrolli më i madh mbi atë që po bënin. Në veri kanë bërë disa ‘Jovaniqa’ si ato të Koluvisë, kështu që kjo u mbyll. Aty ka pasur punë me kriptovalutat… Në fakt aty nuk ka pasur asgjë të shëndetshme, nëse flasim për zhvillimin dhe përmirësimin e pozitës së serbëve”, thekson Trajkoviç, përcjell Telegrafi.

Ajo tha se dëshiron të paralajmërojë opinionin se presidenti i Serbisë, duke e sulmuar atë, po përpiqet, siç thotë ajo, sërish t’i ofrojë Milan Radoiçiqin dhe bashkëpunëtorët e tij si njerëz që do të disiplinojnë serbët në veri të Kosovës dhe do të punojnë në zbatimi i propozimit franko-gjerman.

“Ai tani po e ofron atë [Radoiçiqin] për ta shfajësuar nga gjithçka për çka është akuzuar dhe dyshuar para gjykatave të Kosovës dhe për të cilat ngarkon administrata amerikane. Nëpërmjet Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviqit, Vuçiq në thelb e shfajëson Ana Brnabiqin, sepse ajo është zyrtarisht punëdhënësja e tyre kryesore. Ata janë bërë milionerë dhe është ajo [Brnabiq] që financon projektet e tyre më fitimprurëse në Serbi dhe falë këtij pozicioni, të dy mund të bëjnë çfarë të duan. Duke shfajësuar Ana Brnabiqin,  Vuçiç në të njëjtën kohë fuqizon veten e tij – ai është një sistem i lidhur”.

“Në rrethana të tilla, ata më perceptojnë si një njeri që paralajmëron se mafia nuk duhet të punojë më në procese integruese, sepse nuk është e shëndetshme për popullin tim. Kudo që punonte mafia, ku punonin ato formacione paraushtarake, aty u zhdukën serbët. Kur brigadat e Sheshelit dhe kapiten Draganit i mbrojtën serbët në Krajinë, kjo përfundoi me fatalitet për popullin tonë. Prandaj mendoj se është e nevojshme të punohet me forca të shëndosha dhe normale të serbëve, të cilët do ta zgjidhin thelbin e problemit dhe do të merren me mbijetesën e popullit serb në atë zonë. Besoj se kemi ende kohë, kur bëhet fjalë për organizimin e jetës dhe asaj që është e ardhmja jonë”, shpjegon Trajkoviç.

Siguria është më e rëndësishmja-më pas gjithçka tjetër

Duke folur për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Trajkoviq tha se prioritet i parë duhet të jetë qetësimi i situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

“Është e domosdoshme varrosja e llogoreve që janë hapur, të cilat kur i shikon asociojnë nëe konflikt. Kjo duhet bërë së pari. Duhet gjetur një modalitet me bashkësinë ndërkombëtare dhe sigurisht edhe me serbët nga veriu i Kosovës, në mënyrë që njerëz të besuar të vijnë dhe të bëhet ‘triazhi’ i duhur. Ne kishim, dhe Ivica Daçiq mburrej për këtë, se kishte një komandant policie në veri, i cili u arratis dhe pastaj Serbia u bë ‘shtëpia e tij e sigurt’. Mendoj në zotin Bojiq (Zheljko Bojiq) I cili gjendet në listën e zezë të SHBA-ve për krim të organizuar dhe dyshimet për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, tha Trajkoviç.

Ajo iu referua edhe kushteve që ka parashtruar kryeministri Albin Kurti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke thënë se po përpiqet të kalojë “një realitet” kur përmend të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë./

Niset drejt Turqisë një tjetër ekip i kërkim-shpëtimit i FSK-së (FOTO)

Kosova vazhdon që të japë kontribut në Turqi pas tërmetit të fortë që goditi këtë shtet ditë më parë.

Këtë të premte drejt shtetit turk është nisur edhe një ekip për të ndihmuar në nxjerrjen e të gjallëve nga gërmadhat.

“Është nisur sot edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë”, njofton zyra për media e FSK-së.

“Ekipi i përbërë nga oficerë e nënoficerë do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”.syri.net

Shkencëtarja e re e Kosovës që ndërtoi nanosatelitin e parë

Nga një eksperiment me sodë buke, uthull dhe një balonë e deri te krijimi i nanosatelitit të parë në Kosovë, 19-vjeçarja Elta Bajrami nuk u dorëzua asnjëherë para paragjykimeve gjinore në rrugëtimin e saj në fushën e shkencave natyrore. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, prishtinasja që tani studion në SHBA, ndan me lexuesit e Radios Evropa e Lirë copëza të këtij rrugëtimi.

Në vitin 2014, në një klasë në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta”, dhjetëra nxënës shikonin se si një balonë fryhej dhe më pas fluturonte, shkaku i gazit me të cilin ishte mbushur nga një reaksion mes sodës së bukës dhe uthullës.

Në mesin e këtyre nxënësve ishte edhe Elta, atëherë vetëm dhjetë vjeçe. Klasa e pestë la gjurmë të shumta në mendjen e saj. Nëntë vjet më vonë, ajo ende kujton momente nga ai vit shkollor.

“E mbaj mend një pjesë të tekstit në klasë të pestë, ku pyetej: çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? E kujtoj shumë mirë që nxënësit e tjerë përgjigjeshin: mësues, floktar, futbollist, këngëtar. Kur më erdhi rendi mua, më vinte pak marre ta shprehja se çka kam dashur të bëhem, sepse e kisha shkruar shkencëtare”, rrëfen Elta për Radion Evropa e Lirë.

Pse nuk rrëzohemi vazhdimisht teksa ecim, pse rrëshqasim në akull, si është e mundur të shkojë një raketë në Mars, çfarë është Marsi, a është planet si Toka? Pyetje si këto ngriheshin vazhdimisht në mendjen e saj.

“Më ka interesuar shumë sistemi diellor, jeta jashtëtokësore dhe sidomos ndërtimi, inxhinieria e raketave. E pata detyruar mamanë të ma blejë edhe një libër rreth raketave dhe mënyrës se si funksionojnë ato”, tregon 19-vjeçarja.

E përshkruar si fëmijë çapkën deri në moshën pesëvjeçare, Elta thotë se asnjëherë nuk e ka pasur problem të mos u bindet pritshmërive gjinore. Ka luajtur me lodra që janë konsideruar si lodra për djem.

“E kujtoj gjithmonë që gjyshja, sa herë doja t’ia merrja lodrat vëllait, më thoshte ‘mos çika ime se këto nuk janë për çika’. Por, kurrë nuk e kam kuptuar se përse lodrat duhet të kenë gjini. Kam qenë shumë më e tërhequr nga lodrat që kanë pasur pajisje komplekse, e jo që kanë qëndruar statike, vetëm sa për bukuri”, thotë Elta.

Ky kuriozitet e ndoqi atë edhe më vonë, gjatë kohës sa ishte nxënëse në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në mesin e 14 lëndëve sa kishte në vitin e fundit në gjimnaz, ajo preferonte lëndët e shkencave natyrore.

Elta merrej me projekte dhe gara të kësaj fushe edhe në kohën e saj të lirë gjatë viteve të shkollës së mesme.

Ajo tregon se vështirësitë dhe paragjykimet për të si një vajzë në fushat e shkencave natyrore nuk kanë munguar, por thotë se çelësi për t’i tejkaluar këto sfida është vetëbesimi.

Aktivizmi i Eltës ka vazhduar përgjatë çdo hapi të saj deri më tani. Duke marrë pjesë në projekte të ndryshme në Kosovë – si “Traumë, jo lojë”, “Rráj”, “K’qyr e Dil” dhe “Nuhate” – ajo ka dashur t’i ndihmojë komunitetit.

“’Traumë, jo lojë’ ka qenë një iniciativë me të cilën kemi filluar t’i luftojmë ngacmimet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë. Është ende një prej projekteve që e dua më së shumti, sepse e shoh që diçka kam kontribuar në komunitetin ku kam jetuar”, thotë Elta.

Përveç këtyre projekteve, Elta, gjatë viteve të fundit, ka përfaqësuar Kosovën në disa gara ndërkombëtare, si për robotikë dhe shkenca kompjuterike.

Në nëntor të vitit 2021, Elta është radhitur e gjashta në botë nga mbi 200 mijë pjesëmarrës në një garë të organizuar nga gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft. Në atë garë, ku testohej njohuria mbi produktet e pakos së Microsoft Office, Kosova ishte përfaqësuar për herë të parë si shtet në mesin e 108 shteteve të tjera.

Por, kjo nuk është arritja e parë e Eltës në arenën ndërkombëtare. Dy vjet më parë, në tetor të vitit 2019, ajo i ka sjellë Kosovës një medalje të artë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge.

“Kam qenë 15 vjeçe dhe jam angazhuar për herë të parë në krijimin e një roboti, një mekanizmi që është dashur ta kodoj vetë në mënyrë që mekanizmi të lëvizë”, thotë Elta, teksa tregon se ka punuar përkrah dy vajzave të tjera në këtë garë, Elita Hajrizit dhe Albana Hajdinit.

Për shkak të suksesit të treguar në këtë garë në vitin 2019, Elta ishte përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën sërish një vit më vonë, kur gara u zhvillua përmes platformave digjitale, shkaku i pandemisë COVID-19.

Këtë herë, Elta dhe tri garuese të tjera të Kosovës bënë histori duke ndërtuar nanosatelitin e parë në Kosovë. Ky satelit i vogël u kishte sjellë sfida të mëdha vajzave deri në përfundimin e tij.

“Duke e parë që askush në Kosovë nuk ka krijuar më herët një nanosatelit, nuk kishim as ku të bazohemi për ta marrë një model. Por, përmes ndihmës së instruktorëve dhe hulumtimit që e kemi bërë, kemi arritur që për herë të parë të lancojmë një nanosatelit në Kosovë”, shton Elta.

Ky nanosatelit – i cili përdorej për llogaritjen e temperaturës dhe shtypjes atmosferike – dhe projektet e tjera të saj bënë që Elta ta merrte një lajm të shumëpritur mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022, pak minuta pasi kishte festuar ditëlindjen e nënës së saj.

“Në emër të komisionit të pranimit, ju urojmë mirëseardhjen në kolegjin Vasser”, shkruhej në mesazhin elektronik, i cili i kishte ardhur Eltës rreth orës 23:00 të asaj mbrëmjeje.

“Pranimi në kolegj është një prej lajmeve më të mira që e kam pritur tërë jetën, për shkak se shkollimi është shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Elta, e cila tani është zgjedhur përfaqësuese e studentëve të vitit të parë në kolegjin Vasser në Nju Jork të SHBA-së, ku po studion për shkenca kompjuterike.

Kurti: Në Serbi ka 21 minoritete, pse s’mund të formojnë asociacione një-etnike?

Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur që përmes një grafiku ta kundërshtojë presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti ka publikuar në Facebook një grafik të komunave në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserb. Ai ka pyetur se pse minoritetet në Serbi s’mund të formojnë asociacione një-etnike.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët”, shkroi Kurti.

“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, shtoi ai.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës po përballet me një presion të shtuar ndërkombëtar për t’i implementuar marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin. Ndërkombëtarët tashmë e konsiderojnë urgjente formimin e Asociacionit, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. syri.net

FSK publikon momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat FSK publikon momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat

Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë shpëtuar një fëmijë 2 vjeç në Turqi, derisa ende po mundohen ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës së vogël e cila është gjallë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

FSK ka publikuar momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat.

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri ka marrë jetën e më shumë se 11 mijë personave.

Ekipet e shpëtimit atje janë duke e pasur problem identifikimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve për shkak të motit të papërshtatshëm që po mbizotëron në ato zona.

Kosova nis një kontingjent të Forcave të Sigurisë në operacionet e shpëtimit në Turqi

Qeveria e Kosovës ka nisur drejt Turqisë një ekip të Forcave të Sigurisë për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit që po zhvillohen në dhjetë qytete të goditura rëndë nga tërmeti i 6 shkurtit.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se “me vendim të Qeverisë, kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për operacione humanitare porsa u nis sonte për në Turqi, për të ju dalë në ndihmë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella popullit turk dhe familjarëve të viktimave të tërmetit e të lënduarve shërim sa më të shpejtë.

Vetëm tri ditë pas pritjes së ngrohtë nga Presidenti Erdoğan, në mëngjesin e sotëm u tronditëm nga lajmi për tërmetin shkatërruese në Turqi. Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima.” syri.net

Tërmeti në Turqi dhe Siri, Vjosa Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovës për t’u solidarizuar me viktimat e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Numri i viktimave të këtij tërmeti tashmë ka kaluar shifrën pesëmijë, njofton Klan Kosova.

Osmani ka thënë se përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje.

Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar”.

Gjukanoviq: E mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. 7 shkurt 2023.

RFE/RL

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.

Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.

“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.

Ajo falënderoi Gjukanoviqin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.

Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviq tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar.

Gjukanoviq tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.

Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjukanoviq dhe Osmani do të marrin pjesë në panelin e presidentëve “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi.

Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.

Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviq e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për ta shpallur pavarësinë.

Në të njëjtën kohë, opozita e atëhershme malazeze, e udhëhequr nga lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, protestoi duke kërkuar anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës.

Pas tri dekadash në pushtet, DPS e Gjukanoviqit humbi zgjedhjet e gushtit 2020. Aktualisht ajo është partia më e fortë opozitare në Mal të Zi.

Hovenier: Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime për Kosovën dhe Serbinë

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, “marrëveshja e përkohshme” do të sjellë përfitime për Prishtinën dhe Beogradin.

“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”, shkroi ai në Twitter.

Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.

Ai tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Ky propozim nuk është bërë publik. Por, Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në të dhe ai parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se pranojnë propozimin e BE-së dhe janë të gatshëm ta zbatojnë atë.

Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.

Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave. Kosova kërkon që marrëveshja eventuale të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

“Kosova pranon propozimin franko-gjerman”, Kurti pas takimit me Laçak: Bazë e mirë për diskutimet e mëtejshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Twitter pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE në lidhje me dialogun Prishtinë- Beograd, tha se propozimi konsiderohet si një bbazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.bw

Kurti kërkon që Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.

Kryeministri kosovar tha se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.

Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.

Javëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim evropian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

 

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani.

Kurti tha se deri më tani negociatat janë “ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin”. Ai tha se propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me prospektet për bisedimet e ardhshme dhe për një marrëveshje”.

Plani evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – nuk është bërë publik.

SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Kurti tha se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi disa kushte për të, përfshirë edhe që Asociacioni të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve dhe të zbatohet pas njohjes reciproke.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur frikën se Asociacioni do të minonte shtetësinë e Kosovës.

Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur frikën se një asociacion do të krijonte një mini-shtet në Kosovë, tha Kurti, duke shtuar se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”.

“Nëse ne prezantojmë në Ballkanin Perëndimor idenë e një asociacioni të komunave me bazë etnike, kjo do të jetë recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.

Kurti tha se fuqitë perëndimore nuk duhet t’iu bëjnë presion shteteve më të vogla, sikurse Kosova, që janë demokratike. Problemet midis Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj çfarë po ndodh në rajon sepse “çdo zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret edhe gjetkë”.

Kurti insistoi se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të çdo negociate, ide që refuzohet nga Beogradi.

“Në fillim më puthën dorën pastaj na përzunë”/ At Nikolla Xhufka denoncon serbët: Më larguan me arrogancë nga Manastiri i Deçanit

 

At Nikolla Xhufka

At Nikolla Xhufka, një klerik nga Elbasani është përzënë nga drejtuesit e Manastirit të Deçanit në Kosovë, ku kishte vajtur për vizitë. Denoncimin e ka bërë vetë kleriku Xhufka pasi shkoi në vizitë në Manastirin e Deçanit, në të cilin, ashtu edhe siç pritej, nuk pati një pritje miqësore nga drejtuesit e manastirit.

Në fillim ai ishte pritur mirë dhe me dashamirësi nga murgjit që ishin brenda, por në momentin që kishin marrë vesh që ai ishte shqiptar e kishin larguar me arrogancë nga manastiri.

“Ishte një situatë tejet dramatike, aq shumë na kontrolluan sa që mirë që nuk na zhveshën. Të thuash dramatike është pak. Te jesh në tokën tënde, në shtëpinë tënde dhe të mos gjendesh rehat në kishën tënde, kjo është e pafalshme”.

At Nikolla Xhufka thotë se Manastiri i Deçanit është i shqiptarëve.

“Manastiri ishte kishë ilire”.

Ai thotë se nuk ia kishte marrë mendja që serbët do të kenë një sjellje të tillë ndaj një prifti.

“Sjellja e tillë kundër një kleriku, kundër një prifti, është e pashpjegueshme”.

“Në fillim as rojet e KFOR-it nuk na penguan. Prifti më puthi dorën. Më pas dikush iu afrua dhe i pëshpëriti diçka në vesh, prifti ndryshoi sjellje. Ai nga një murg u bë një njeri arrogant”, deklaroi tutje At Nikolla Xhufka.

Xhufka rrëfen edhe bisedën e shkurtër me priftin e manastirit të Deçanit.

“Sapo e kuptoi se ishim shqiptarë më tha “zotëri ik me të mirë, sa nuk të kemi rrahur”. I thashë: Si të iki akoma një qiri nuk e kam ndezur. A je murg ti”. Ma ktheu “unë jam zot shpie këtu, largohuni””, tregon tutje vizitën e hidhur në manastirin e Deçanit At Nikolla Xhufka./Zëri

Qytetarët e Kosovës, kundër blerjes së produkteve serbe

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të bojkotojnë produktet me origjinë nga shteti i Serbisë, meritë për këtë është fushata e filluar tash e sa muaj kundër produkteve serbe, e cila duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mediet ka arritur që të mobilizojë në masë të madhe qytetarët që të mos blejnë prodhime serbe.

Rreth kësaj fushate qytetarët u shprehën se e përkrahin fuqishëm bojkotimin e produkteve serbe dhe për më tepër kërkojnë largimin e tyre nga tregu kosovar.

Këtë dëshirë, e pati qytetari Kadri Hasani, i cili e fajësoi qeverinë dhe marketet tona të cilat sipas tij po furnizohen me produkte serbe.

“Personalisht nëse e di jo, por të gjithë po i blejnë, hyn shikoje në markete të gjitha i ke 70-80% , të gjithë i blejnë … Këta duhet t’i uzurpojnë këta që i blejnë, jo konsumatorët, se konsumatori ka ndonjë që nuk e din, nuk e sheh, unë nuk e shoh, p.sh, e marrë kur ta dërgojë në shtëpi, e shoh të Kragujevcit, Nishit, Beogradit, andej… por fajin e kanë këta që i marrin, këta duhet në doganë me i ndalë, dhe jo me ndalë qytetarin, çka din ky pa shkollë, çka din katunari kur të hynë aty , kush e prodhon, si intereson prodhimi… Gjë më të keqe në botë nuk ka, veç njerëzit nuk kanë ku shkojnë, sjellje më të keqe nuk ka. Për çmime spo flasim, tërë natën merren vesh, se qysh t’i shtrenjtojnë çmimet. Merre me mend, ujin kur e shtrenjtojnë, në këtë krizë, që ishte katastrofë, ishte 30 cent, e kishin bërë 70 cent. Ku ka në rruzullin tokësor një ujë 30 cent të shitet barabartë me një qumësht”, u shpreh Hasani.

Fahriu, është një qytetar tjetër i cili ka dyshime se shpesh qytetarët po mashtrohen nga marketet kosovare, kështu duke i mbuluar produktet serbe në kuadër të atyre që janë prodhim i Kosovës. Ai thotë se duhet të kemi kujdes ndaj këtyre mashtrimeve.

“Unë konkretisht nuk i blej produktet serbe, e di të kujt janë, për atë nuk i blej . Edhe pse jam me syze, e kam marrë edhe llupen me vete për me mujt me pa ma mirë, se ka vende që po i fshijnë ose po qesin ushqime përmbi produkte, që të na mashtrojnë, kinse është prodhim ose i Shqipërisë ose diçka tjetër, por veç serbët dinë të bëjnë këto gjëra, por duhet të kemi kujdes”, tha Fahriu. Gjithashtu, ai u shpreh se me këtë veprim që ne po bëjmë, duke i blerë produktet serbe, ne nuk po i japim të holla Serbisë, por plumba kundër neve.

Enver Halimi, kritikon qeverinë e Kosovës, në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se qeveria duhet ta gjejë mënyrën se si të furnizohet me produkte në mënyrë që mos t’i blejmë ato serbe.

“Të them të vërtetën unë nuk i blej, dhe nuk duhet ti blejmë produktet serbe ne shqiptarët. E familjarët disa po disa jo. Qeveria duhet ta gjejë mënyrën se a mundet të sjellë produkte prej një vendi tjetër, e më pas të thotë që mos t’i blejmë, mirëpo, ne mundemi të mos i blejmë ato”, tha Halimi.

I pyetur se a di që të dallojë një produkt të Serbisë, në mënyrë që ta evidentojë dhe mos ta blejë, ai tha se në bazë të flamujve dijnë ta dallojë, ani pse ka pasur raste kur kanë ndodhur falsifikime nga ana e marketeve, të cilat sipas tij duhet dënuar.

Fushata kundër bojkotimeve serbe, ka filluar qysh nga shtatori i vitit të kaluar, dhe po vazhdon edhe sot.

Kur jemi tek mallrat, cilësia dhe siguria e tyre në tregun kosovar, Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës, ku ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. /kp

Askush plotësisht i kënaqur me Projektligjin për lirinë fetare

Xhamia e Madhe në Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bekim Bislimi

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk përmban ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, krahasuar me projektligjet e miratuara nga qeveritë e kaluara, vlerësojnë përfaqësues të bashkësive fetare.

Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, në anën tjetër, thotë se në këtë projektligj ka mjaft terme të ngatërruara, të cilat më vonë mund të nxjerrin probleme.

Megjithatë, në rast se projektligji miratohet nga Kuvendi i Kosovës, bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, i cili me Ligjin për lirinë fetare – i miratuar në vitin 2006 – nuk është përcaktuar.

Projektligji i miratuar së voni njeh ekzistencën e shtatë bashkësive fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.

Ato janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Projektligjet e miratuara në vitin 2020, 2017 dhe 2014, që nuk janë shndërruar në ligj për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, kanë njohur ekzistencën e gjashtë bashkësive fetare, duke mos e përfshirë si të veçantë Komunitetin Bektashian të Kosovës.

Shumica e këtyre bashkësive e shohin projektligjin e ri si mjaft liberal. Por, kanë edhe vërejtje dhe mospajtime, të cilat, siç thonë, i kanë shprehur edhe gjatë shqyrtimit publik të tij, në dhjetor të vitit të kaluar.

BIK: Projektligji mundëson fraksione brenda një bashkësie

Të gjitha bashkësitë fetare pajtohen në një pikë – se duhet të ketë një ligj që e njeh statusin e tyre juridik.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam, konsideron se projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk është varianti që është pritur nga kjo bashkësi.

Ramadan Shkodra, përfaqësues i BIK-ut, thotë se kjo bashkësi ka kërkuar që të ruhet sistemi unitar brenda bashkësive fetare. Por, sipas tij, projektligji aktual, nëse miratohet si ligj, do të mundësojë krijimin e shumë fraksioneve brenda një bashkësie.

“Ne jemi në favor të asaj që të njihet ana historike e bashkësive fetare, të njihet rruga e formimit të bashkësive fetare. Ne jemi ‘për’ që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohet liria e besimit. Por, liria e organizimit është krejt diçka tjetër. Me këtë ligj, në Kosovë do të kemi shumë telashe. Nesër mund të kemi bashkësi të këtyre ideologjive ekstremiste. Për anakronizëm, vetë Qeveria e Kosovë i ka ndaluar OJQ-të [organizatat joqeveritare] me baza fetare. Ndërkaq, tani krijon rehati që të krijohen shumë bashkësi fetare të një besimi”, thotë Shkodra për Radion Evropa e Lirë.

Në nenin 7A të projektligjit të ri thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.

Kisha Katolike: Vërejtje lidhur me inspektimet financiare

Nga Kisha Katolike thonë se ky projektligj, në parim, është i pranueshëm.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë se si ipeshkvi kanë dhënë sugjerime dhe se një nga vërejtjet e tyre ka pasur të bëjë me çështjet ligjore të inspektimit të të hyrave dhe daljeve financiare të kishës.

“Aty i kemi pasur vërejtjet tona, sepse, në qoftë se investon Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës atëherë ka të drejtë për rishikimin e të hyrave dhe daljeve. Ndërkaq, ato që janë ekskluzivisht brenda kishës, siç janë ofertat brenda kishës nga besimtarët… Ne nuk e kemi pranuar këtë çështje”, thotë kancelari ipeshkvor i Kosovës.

Brenda katedrales Nëna Terezë në Prishtinë.

Brenda katedrales Nëna Terezë në Prishtinë.

Në Nenin 12B të projektligjit, i cili përcakton raportimin financiar, thuhet se të gjitha bashkësitë fetare “janë të obliguara që deri më 31 mars të vitit pasardhës, t’i dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak”.

KOS: Nuk patëm mundësi të konsultohemi për projektligjin

Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në dhjetor të vitit 2022, ka dërguar dy përfaqësues të saj në konsultimet e organizuara nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektligjin, por ata “nuk kanë mundur të kenë qasje të plotë në këto konsultime dhe as t’i japin sugjerimet e veta”, për shkak se atyre “nuk u është siguruar përkthimi në gjuhën serbe, siç parashihet edhe me ligj”. Kështu thotë Millosh Periq, sekretar i Dioqezës së Prizrenit, në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Ne jemi duke punuar në analizën e draftit të ri dhe avokatët tanë do të konsultohen me ekspertët përkatës, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Projektligji për të cilin Kisha jonë ra dakord para disa vitesh dhe ishte aktual deri vonë, u ndryshua në disa pika të rëndësishme, ndërsa ne nuk patëm mundësi të shprehim kundërshtime apo të konsultohemi për të”, thotë Periq.

Ai shton se, megjithatë, është mirë që në projektligjin e ri, ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe është regjistruar me emrin e saj ligjor, i cili është i pranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, ligji do të garantojë paprekshmërinë e strukturës së brendshme të të gjitha bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe.

“Kjo do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është një entitet i pandashëm me Kishën Ortodokse Serbe, selia e së cilës është në Beograd”, thotë Periq.

Video nga arkivi: Universiteti i Prishtinës dhe Kisha Ortodokse Serbe po përballen në gjykatë lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të tokës, ku gjendet edhe kisha e papërfunduar ortodokse

Marrë parasysh se regjistrimi për komunitetet tradicionale fetare është automatik, ai thotë se Kisha Ortodokse Serbe “nuk do të kalojë në procesin e regjistrimit”, por se “subjektiviteti dhe vazhdimësia e saj ligjore në këto fusha do të njihen automatikisht”.

Në projektligj, në nenin 4A, pika 2, thuhet se shtatë bashkësive fetare, të cilat janë specifikuar, u pranohet statusi i personit juridik.

Ndërkaq, në nenin 7A, pika 1, thuhet se “bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen dhe të pranojnë statusin e personit juridik kundër vullnetit të tyre”.

Periq thotë se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe mbi projektligjin do të varet nga vlerësimi i ekspertëve për çështje juridike dhe fetare, me të cilët kjo kishë është duke u konsultuar. Ky qëndrim, më pas, do të jetë edhe bazë për deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës se si do të votojnë.

Marrë parasysh që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare është me rëndësi vitale, atëherë ai kërkon dy të tretat e votave të dyfishta të deputetëve, që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti serb ka dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

KPUK: Projektligj liberal me “detyrim skandaloz

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) e vlerëson si mjaft demokratik dhe liberal Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare. Por, kryetari i kësaj kishe, Femi Cakolli, thotë se ai nuk saktëson se kush i siguron parcelat për të gjitha bashkësitë fetare, me trajtim të barabartë.

Gjithashtu, thotë Cakolli, në projektligj nuk është futur sugjerimi që personat joshtetas të Kosovës që vijnë në vend për çështje besimi, të njihen si misionarë ose varësisht emërtimeve që mund t’ua japin bashkësitë fetare.

Projektligji aktual, sipas tij, trajton edhe një çështje, e cila në formën siç është përcaktuar, rrezikon të cenojë ruajtjen e besimit ndërmjet klerikut dhe besimtarit të krishterë, me rastin e “pendimit-rrëfimit”.

Pamje nga procesi i rrëfimit para priftit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pamje nga procesi i rrëfimit para priftit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Aty, në mënyrë të prerë, thuhet se klerikët e bashkësisë fetare detyrohen të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për një të dyshuar. Mendoj se ky është rasti më skandaloz që mund të ekzistojë në këtë formë, sepse ‘detyrimi’ nuk do të duhej të ishte në këtë mënyrë dhe që shteti ose Qeveria të flasë me këtë gjuhë, apo ligjvënësit. Ne ia kemi bërë vërejtjen Qeverisë. Këtu mendoj se shteti ka shkuar përtej asaj sesi funksionon një bashkësi fetare. Por, ne pajtohemi që kur ka një vendim gjykate për një person që rrezikon sigurinë, që është për terrorizëm, për shëndet publik, etj…”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet nenit 12 A, pikës 4 të projektligjit, ku thuhet: “Të gjitha bashkësitë fetare/kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale (të ndryshme)”.

BTK: Pa regjistrimin e bashkësive fetare, Kosova nuk e njeh veten

Lulzim Shehu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK), vlerëson se projektligji aktual nuk ka ndryshime esenciale, në krahasim me tri projektligjet e miratuara nga qeveritë paraprake të Kosovës.

Ai thotë se në procedurë të përpilimit të projektligjit nuk ka pasur probleme.

“Unë shpresoj që ky ligj do ta plotësojë një vakum, në të cilin Kosova, në të vërtetë, nuk e njeh vetveten. Nuk do të thotë që dikush nga jashtë të të njohë. Kosova nuk e njeh veten, me vetë faktin që nuk ka pasur mundësi që bashkësitë fetare të regjistrohen”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.

Dervishët gjatë një ceremonie fetare në Prizren. 21 mars 2013.

Dervishët gjatë një ceremonie fetare në Prizren. 21 mars 2013.

Hasani: Ngatërrim i termeve dhe emërtimeve

Profesori i sociologjisë së religjionit në Prishtinë, Ismail Hasani, vlerëson se projektligji në fjalë – me përjashtim të disa risive rreth mënyrës së organizimit të bashkësive fetare – nuk shkon përtej ligjit të miratuar në vitin 2006, si dhe projektligjeve që janë miratuar nga qeveritë deri në vitin 2020.

Në sfondin e bashkësive fetare, sipas tij, është shtuar Bashkësia e Komunitetit Bektashian, e cila më herët ka qenë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

Gjithashtu, sipas tij, në projektligjin aktual nuk është shënuar asnjë hap më tej në përkufizimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Hasani vlerëson se në projektligj ka terminologji të ngatërruar ndërmjet etnisë, bashkësive fetare dhe besimeve.

Sipas tij, përkufizimi i Kishës Ortodokse është ngatërruar me termin Kishë Ortodokse Serbe, duke i dhënë një entiteti edhe ndajshtesën e etnisë.

Ai thotë se është i vetëdijshëm që në këtë pikë ekziston sfondi politik i kësaj çështjeje, për shkak të përfshirjes së Kishës Ortodokse Serbe në Dokumentin e Ahatisarit – në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008 – por edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Do të ishte element civilizues që Kisha Ortodokse në Kosovë të mos e merrte ndajshtesën e elementit etnik, sepse Kishës Ortodokse mund t’i takojnë edhe njerëzit që nuk janë të entitetit etnik serb”, thotë Hasani.

Ai shton se ndajshtesën e natyrës etnike e ka marrë edhe Bashkësia e Besimit Hebrej.

Por, sipas tij, “nuk ekziston besimi hebre, por vetëm përkatësia etnike hebreje” dhe “besimi quhet judaizëm”.

Siç thotë Hasani, emërtimi në ligj “Kishë Katolike” gjithashtu krijon konfuzion, sepse ekzistojnë shumë kisha katolike. Ai thotë se, në këtë rast, është dashur të shtohet ndajshtesa e shtetit – përkatësisht “Kisha Katolike – Ipeshkvia e Kosovës” – ashtu siç është bërë me Bashkësinë Islame të Kosovës ose Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës.

Për më tepër, thotë Hasani, nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka dalë një bashkësi tjetër që emërtohet Komunitet Bektashian i Kosovës, ndërkohë që “bektashinjtë i takojnë njërit prej 12 tarikateve që veprojnë në Kosovë”.

Hasani, po ashtu, thotë se është kundër kriterit që përcakton se për themelimin e një bashkësie fetare janë të domosdoshëm 100 persona. Sipas tij, theksi është dashur të bjerë më tepër në plotësimin e kritereve të tjera.

“Tani ky është sekret publik, pra paraqitja e grupeve të ndryshme ekstreme, që shpërfaqen jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ku ka vende të krizave – pjesëtarë të entiteteve të ndryshme etnike, refugjatë të ndryshëm, të cilët janë të strehuar përkohësisht në Kosovë… Këto, pastaj, e ngatërrojnë gjithë situatën. Do të thotë, në pikëpamje ligjore, ne mund të jemi në rregull nëse përmbushet ky kriteri i numrit 100. Por, shtrohet pyetja se kush janë ata 100 persona? Ky është problemi”, thotë Hasani.

Sipas tij, në disa pika të projektligjit shpërfaqet edhe tendenca e përzierjes së institucioneve ose shtetit në rituale të caktuara të bashkësive fetare, që, në fakt, janë kompetenca rigoroze të këtyre bashkësive.

Për këtë arsye, siç thotë Hasani, projektligjit duhet t’i shtohet preambula, që specifikon se “Republika e Kosovës është shtet laik”.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë shprehen skeptikë për miratimin e këtij projektligji në Kuvend, për shkak se nevojiten dy të tretat e dyfishta të votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, të cilat vështirë mund të sigurohen nëse deputetët e komunitetit serb janë kundër.

Se kur do të arrijë projektligji në Kuvend, nuk është ende e qartë.

Albin Kurti pritet nga Erdogan në Stamboll, tregon arsyet e takimit midis tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka të premten ishin në një vizitë pune në qytetin historik të Stambollit.

“Përgjatë takimit dhe darkës së punës biseduam për raportet tona miqësore dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë ato, – tregoi Kurti. – Diskutuam edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes.

I jemi përherë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e pakursyer në çdo etapë të ndërtimit të shtetit tonë e shumë fusha të zhvillimit të tij. Presidentin Erdogan e falënderova për mikpritjen e përzemërt dhe për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.” syri.net

Presidentja Osmani në Islandë, thekson rëndësinë që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po vazhdon takimet e saj zyrtare në Islandë. Në takimet që pati sot me kryetarin e Kuvendit të Islandës Birgir Ármannsson dhe ministren e Jashtme, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir, Osmani tha se diskutuan thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike për Kosovën.

“Kosova dhe Islanda ndajnë idealet e njëjta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, prandaj në këtë frymë, – theksoi Osmani, – në takimet me lidershipin e Islandës potencova rëndësinë vendimtare që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës dhe të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e këtyre vlerave.’ syri.net

A i ndryshoi Kurti qëndrimet për Asociacionin?

Nadije Ahmeti

Kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë relativisht të pranueshme, përveç njërës që mund të jetë më problematike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, dëshiron të imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës.

Kurti, i cili deri tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.​

“Hap përpara i Kurtit”

Maliqi thotë se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.

“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Për njohësin e çështjeve politike, njëherësh profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhirin, deklaratat e Kurtit për Asociacionin janë një evoluim i pavullnetshëm politik, por megjithatë, sipas tij, ato paraqesin një mesazh të fortë për bashkësinë ndërkombëtare.

Ai thotë se pas këtyre deklaratave ekziston gatishmëria që të lëvizet nga qëndrimet bllokuese dhe të kërkohen gjetje kreative, që të arrihet deri te një pikë që është e përshtatshme për të gjithë.

“…sepse vetëm me këtë qasje mund të normalizohen raportet e dëmtuara me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është një ndryshim shumë i rëndësishëm sepse tregon një nivel tjetër të komunikimit të temës së Asociacionit, pasi më nuk është refuzim automatik, siç ishte deri më tani”, thotë ai.

Muhaxhiri shton se Kurti tashmë ka krijuar hapësirë që të bisedohet për Asociacionin, bazuar në kërkesat e tij.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të formojë Asociacionin.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që të paraqesë vizionin e tij për Asociacionin, duke thënë se dëshiron që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo të krijojë një Republika Sërpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, duke vënë kushte për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po tenton ta imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës dhe jo dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe që gjenden në gjithë Kosovën.

Në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Asociacioni do të duhej të përfshijë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

“Kjo do t’i jepte një mundësi Qeverisë së Kosovës që më në fund të dalë me një propozim për integrim. Asnjë nga qeveritë e Kosovës nuk ka pasur program për integrim, kanë vetëm një program të largimit të institucioneve serbe dhe arritjes së sovranitetit të plotë. Unë i kuptoj, por është një politikë joproduktive”, thotë Janjiq.

Cili është kushti problematik?

Pavarësisht se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti janë të pranueshme, ajo që Asociacioni të jetë në kuadër të marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë, po shihet si problematike.

“Kjo mund të jetë problematike për shkak të rrethanave, për shkak të kontekstit të komplikuar gjeopolitik. Nuk mund të pritet që Serbia ta njohë në mënyrë të thjeshtë Kosovën. Por, me siguri duhet të bëhet ndonjë modalitet kreativ, në mënyrë që të gjendet një mes ku Serbia do të pranonte ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thotë Artan Muhaxhiri.

Maliqi, ndërkaq, vlerëson se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti nuk janë as kushte, pasi “janë të nënkuptuara në marrëveshjet, qoftë ato ekzistuese apo edhe në draftet që kanë qarkulluar”.

Pse ndryshoi qëndrimin kryeministri Kurti?

Agon Maliqi thotë se Kurti ka vlerësuar se Kosova gjendet në një pozicion që nuk mund ta shtyjë më temën e Asociacionit. Kjo, sipas tij, mund të jetë edhe për shkak të garancive që kryeministri mund të ketë marrë nga aleatët që procesi të shkojë përpara, ose edhe nga frika se mund të ketë masa ndëshkuese, qoftë për Kosovën, apo edhe për të personalisht, në aspektin politik.

“Pra, është modifikim i qëndrimeve, që ndoshta buron nga ‘mbështetja për muri’ dhe mungesa e hapësirës së mëtejme manovruese”, thekson ai.

Ndërkaq, Muhaxhiri mendon se ky ndryshim qëndrimesh ka ardhur si pasojë e presioneve të faktorit ndërkombëtar.

“Kryeministri Kurti e dinë se më këtë qasje nuk mund të ketë një qeverisje normale në të ardhmen. Ose duhet të japë dorëheqje ose të ndryshojë qëndrim. Duket se ka zgjedhur opsionin e dytë, pra modifikimin e qëndrimit, një lloji evoluimi në raport me gjithë situatën”, vlerëson ai.

SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

SHBA-ja dhe BE-ja së fundmi kanë shtuar përpjekjet e tyre për të dinamizuar procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Dialogu Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011, synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.

Pavarësisht se Kosova thotë se në këtë proces nuk diskutohet për statusin e saj, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë se zgjidhja e statusit të Kosovës është në fakt zgjidhja e statusit të komunitetit serb.

“Komuniteti serb në Kosovë nuk mund të trajtohet si një nga minoritetet. Është thjesht një pakicë shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet shtet. Është një problem themelor që nuk kuptohet dhe Beogradi shpesh e keqpërdor”, thotë Janjiq.

Përderisa Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një plan për normalizimin e raporteve, që njihet si plani evropian, dy shtetet kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova këmbëngul që një marrëveshje eventuale përfundimtare të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe”, teksa Beogradi insiston që dialogu të përmbyllet me një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Deputeti i Vetëvendosjes: Jo ‘Zajednicës’ dhe jo Vuçiqit brenda Kosovës

RFE/RL

Duke folur për kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u tha partive opozitare që të qëndrojnë “bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që na kërkohet”.

Kështu tha ai gjatë seancës së 2 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

Ai u është drejtuar deputetëve opozitarë duke i pyetur nëse janë për themelimin e Asociacionit.

“A na tregoni ju a jeni për ‘Zajednicën’ [Asociacionin]? Jo çka po thotë Serbia, jo çka po thonë e kërkojnë negociatorët, por a e doni ju për Kosovën tonë, tash dhe në të ardhmen, Zajednicën e presidentit serb [Aleksandar] Vuçiqit? Kjo është pyetja”.

“A duam të jemi bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që në kërkohet. Le të qëndrojmë bashkë: Jo Zajednicës, jo Vuçiqit brenda Kosovës dhe jo ndarjes së Kosovës në baza etnike”, tha ai.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimi i “Asociacionit njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm”.

Ambasada amerikane në Prishtinë organizoi të martën një diskutim të mbyllur për Asociacionin.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj”.

“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.


Send this to a friend