“Nëse bashkësia ndërkombëtare thotë se Vuçiçi nuk e di se ku janë të zhdukurit, është duke bërë hajgare, sepse Vuçiçi i di ku janë. Presidentit të Serbisë duhet t’i ngrihet aktakuzë sikurse Putinit”.
“Duke fshehur krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç meriton të ndiqet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sikurse që po i bëhet aktualisht presidentit rus, Vladimir Putin”, thotë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai tha se kur flitet për fshehjen e krimeve, siç është rasti me mos-zbardhjen e fatit të personave të zhdukur apo të rrëmbyer me dhunë gjatë luftës, Vuçiç dhe regjimi serb po bëjnë krim të rëndë kundër njerëzimit.
“Serbia ka pasur nevojë për një protektorat ndërkombëtar për shkak të krimeve të luftës”, thotë Konjufca, duke iu referuar zhvillimeve të përgjakshme në Kosovë gjatë viteve ‘99 – 2000, por edhe atyre në Bosnje gjatë viteve të ’90-ta.
Ai thotë se Vuçiç dhe shteti serb, e dinë fort mirë se ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë e rrëmbyer me forcë gjatë luftës.
Çështja e të pagjeturve apo zhdukurve të luftës, është një nga pikat urgjente në kuadër të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë, e përcaktuar edhe me aneksin e veprimit të miratuar në Ohër.
Serbia, kishte provuar që t’i ikë kësaj pike, por pas katër tentimeve, ajo është futur si çështje urgjente.
“Personat i kanë rrëmbyer me dhunë, i kanë zhdukë, nuk dihet as për fatin e as për trupat e tyre. Për këto se ku janë ata, unë mendoj që nuk ka shaka dhe se për Zotin bashkësia ndërkombëtare bën hajgare nëse thotë se Vuçiqi nuk e din”, thotë Konjufca.
“Ai e din, por mund të thuhet se Vuçiçi nuk po don me tregu”, nënvizon ai.
Konjufca rikujton edhe veprimin e trishtë të autoriteteve serbe kur kishin vendosur që të ndërtonin poligonin në Batajnicë mbi eshtrat e shqiptarëve të vrarë, krim ky që ishte zbuluar më pas.
“Vuçiç që ka qenë pjesë e pushtetit të Millosheviçit e që e din ku janë të pagjeturit”, thekson Konjufca, duke ftuar edhe Hagën që të merret me këtë çështje.
Marrë parasysh të gjitha këto veprime, Konjufca thotë se kushtet ekzistojnë që edhe Vuçiçit t’i ngritet një ndjekje penale ndërkombëtare sikurse Putinit. /TV1
Zëvendës shefi i misionit të ambasadës gjermane në Beograd, Carsten Meyer-Wiefhausen tha sot se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nuk është i mundur nëse listat e kandidatëve për zgjedhjet që Kosova planifikon t’i mbajë në katër komuna në veri të Kosovës nuk janë dorëzuar.
“Është një çështje krejtësisht praktike. Nëse nuk keni zyrtarë, kryetarë komunash, nuk mund të krijoni një komunitet komunash. Pa njerëz në to, nuk keni institucione. Ju duhen ato institucione. Kaq e thjeshtë është”, tha diplomati gjerman i pyetur për pasojat e mundshme nëse listat e kandidatëve nuk dorëzohen brenda afatit, në panelin e diskutimit “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, raporton agjencia serbe e lajmeve “Beta”.
Afati i caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës për aplikimin e kandidatëve për zgjedhjet që planifikohen të mbahen në katër komuna në veri të Kosovës në fund të muajit prill është shtyrë disa herë dhe skadon sot.
Lista Serbe ka përsëritur sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës derisa të formohet Asociacioni dhe derisa të gjitha njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga ajo zonë.
Koordinatori i Grupit Punues të NKEU-së për Kapitullin 35 në Serbi, Dragisha Mijaçiq tha, në të njëjtin panel, se akti i mosdorëzimit të listave është simbolik, se vetëm e shtyn realizimin e marrëveshjes së arritur, e cila e zgjat procesin e përparimit të Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Së pari duhet të ndryshojë retorika rreth marrëveshjes, sepse duhet të komunikohen më shumë përfitimet sesa problemet, e më pas gjithçka që lidhet me integrimin në BE. Çdo integrim në BE do të marrë shumë kohë”, tha Mijaçiq.
Meyer-Wiefhausen tha gjithashtu se liderët e Serbisë dhe Kosovës në Ohër më 18 mars kanë pranuar të gjitha dispozitat e aneksit për zbatimin e marrëveshjes dhe se duhet të punojnë në zbatimin e saj hap pas hapi.
Paneli “Asgjë në mes – Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” u organizua nga Lëvizja Evropiane në Serbi dhe Fondacioni Friedrich Ebert. syri.net
Kosova ka përditësuar vendimin e saj për sanksione ndaj grupit rus të mercenarëve Wagner, duke i përshtatur ato me vendimin e Shteteve të Bashkuara, që në janar e shpallën Wagner-in “organizatë të rëndësishme kriminale transnacionale”.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ky grup mercenarësh, po “kërcënon dhe minon” sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Qeveria miratoi plotësimin e vendimit të 16 majit të vitit 2022, që parashihte sanksione ndaj Wagner-it bazuar në një vendim të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se pushtimi i Rusisë kundër Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, “ka hasur në rezistencën e shtetit dhe popullit të Ukrainës”, por është dënuar nga shtetet demokratike.
“Departamenti amerikan i Thesarit më 26 janar të këtij viti ndërmori masa kufizuese ndaj grupit Wagner si një organizatë kriminale transnacionale, duke përfshirë edhe rrjetin global të Wagner-it, sektorin ushtarak të Rusisë dhe miqtë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit. Këto sanksione u ndërmorën për të degraduar kapacitetet e Federatës Ruse për të zhvilluar luftë kundër Ukrainës, duke sanksionuar edhe tetë individë, 16 subjekte dhe katër avionë”, tha Bislimi.
“Për këtë arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës propozon plotësim-ndryshimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës [të 16 majit 2022] për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura nga SHBA-ja, e që zbatohen nga ana e Republikës sonë në raport me obligimet ndërkombëtare kundër grupit Wagner si dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tyre dhe kompanive të tjera që mbështesin fushatën ushtarake ruse”, shtoi ai.
Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, Kosova ka vendosur sanksione ndaj Moskës, duke ndjekur vendimet e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Grupi Wagner është i përfshirë aktivisht në luftën në Ukrainë dhe së fundmi mercenarët e tij po konsiderohen si një forcë e rëndësishme në përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Përveç se ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Kosova ka ofruar mbështetje për Ukrainën, duke strehuar përkohësisht disa gazetarë ukrainas.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten (më 23 mars) do të raportojë para deputetëve në Kuvendin e Kosovës për takimin në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Kjo u bë e ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Paraprakisht do të hidhen për votim tri marrëveshjet ndërkombëtare, e pastaj njoftimi i kryeministrit Kurti për takimin në Ohër”, tha Kusari-Lila.
Më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u takuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në këtë takim, palët arritën pajtim për Aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, marrëveshje kjo që u bë publike më 27 shkurt.
Lidhur me takimin në Ohër, Kusari-Lila tha se ka pasur dakordim në parim dhe mbetet të shihet plani dhe procesi më tutje.
“Ajo që dua të them, është se do të varet shumë nga qasja e ndërmjetësit për shkak se garantuesi kryesor në mungesë të nënshkrimit nga ana e Serbisë, mbetet BE-ja dhe SHBA-ja. Këto pika të marrëveshjes do të jenë pjesë e kapitullit 35 për Serbinë në procesin e integrimit, gjë cila se në rast se nuk zbatohet, do të ndalte komplet procesin e integrimit të Serbisë. Kjo është garancia e vetme për Kosovën, qasja dhe sanksionet ndërkombëtare në raport me procesin e integrimit. Përderisa është tepër me rëndësi avancimi i procesit të integrimit për Kosovën”, ka shtuar ajo.
Partia Demokratike e Kosovës ka vërejtje serioze, lidhur me marrëveshjen e Ohrit, tha deputetja e kësaj partie Blerta Deliu.
“Natyrisht, ka shqetësim serioz me kompetencat që i jepen komunitetit serb në Republikën e Kosovë. Kryeministri dje kishte lojë fjalësh se çka quajmë vetëmenaxhim e vetadministrim, tha që ka një dallim në mes të vetëmenaxhimit dhe vetadministrimit”, u shpreh ajo.
Edhe deputeti tjetër nga opozita, Armend Zemaj, nga Lidhja e Demokratike e Kosovës, konsideron se marrëveshja e arritur është në kundërshtim të plotë me synimet e Kosovës për integrimin e të gjitha komuniteteve sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Takimi i Ohrit e ka shpërfaqur mashtrimin 15-vjeçar të kryeministrit apo të kauzave të rreme të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Kjo që është parë, neve do të na kushtojë shumë në kuptimin e përgjegjësive të cilat janë marrë”, tha ai.
Marrëveshja prej 11 nenesh, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë./ REL/
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Qeverinë e Kosovës.
Hovenier ka kërkuar nga Kurti që të punojë më ta për ta zbatuar Asociacionin.
“Ne i mirëpresim të dyja marrëveshjet e arritura. Ne kemi një kërkesë standarde që kryeministri të punojë me ne për zbatimin e Asociacionit”, ka thënë Hovenier para gazetarëve pas përfundimit të takimit.
Më tej, ai ka thënë se për Amerikën pritjet janë të njëjta, që të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen.
Ndryshe, Kurti sot u takua me ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Kujtojmë se pas një takimi gati dymbëdhjetë orësh në Ohër të shtunën, Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për një aneks zbatues të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. syri.net
“Mendoj se kjo është gabim i madh”, tha ish-Shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, në një bisedë me Insajderin rreth zotimit të bërë në Ohër që Kosova “të nisë menjëherë” zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Bazë ku komunitetit serb “i sigurohet një nivel i duhur vetëmenaxhimi” në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shmicë Serbe.
Walker thotë se do të ishte “tejet kritik” nëse Kosova nënshkruan themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe brenda një marrëveshje e cila edhe ashtu nuk përmban njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi. Mes tjerash, ai është kritik edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar që po e shtyn para pikërisht çështjen e Asociacionit.
“Kjo çështja e Asociacionit të komunitetit serb ose diçka e ngjashme për mua është njëfarë prishëse e marrëveshjes (deal-breaker). Do të isha tejet kritik nëse Kosova e nënshkruan atë. Mendoj se kjo është gabim i madh. Edhe për BE-në që e shtynë e para këtë. Për mua është diçka që ska kurrfarë kuptimi, që të jepen të drejta edhe më speciale një komuniteti pakicë, e cila tashmë edhe ka më shumë se një hise në të drejtat e pakicave, më shumë se në cilindo vend në Evropë që unë e di, e gati edhe në botë”, tha William.
I pyetur se “a kishte zgjidhje tjetër” Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngase kjo është njëra nga kërkesat më strikte amerikane, Walker përsëri konsideron se është gabim të shtyhet kjo çështje para.
“Unë s’kam pasur rastin të flas me Escobarin ose me dikë nga qeveria amerikane rreth kësaj, nuk e di se çfarë ka prapa saj, që të jenë në favor të kësaj, sepse siç thash, unë personalisht këtë e shoh si gabim të përfshihet diçka e tillë. Por, e di që po shtyhet para, ndaj Kosovës, ndaj qeverisë së Kurtit, që të pranojnë këtë, dhe po them se do të ishte gabim që të bënte këtë”, tha ish-ambasadori.
Në vërejtjen e Insajderit se në fakt është vetë kryeministri kosovar ai i cili ka qenë “më i eturi” që kësaj marrëveshje t’i vendoset firma e të kalojë në një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për palët, Walker shprehet se s’e kupton qëndrimin e tij.
“Nuk jam i sigurt që e kuptoj Albini kur thotë se unë e nënshkruaj kështu siç është, ose dëshiron që ta nënshkruajë. Nëse aty nuk ka njohje, unë e shoh gabim që ai ta nënshkruajë”, përfundoi ai. syri.net
Partitë opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Sipas BE-së, ndonëse nuk është nënshkruar, marrëveshja është arritur mes dy palëve, pas një takimi maratonë në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë përmes një postimi në Facebook se kryeministri Kurti, “pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”.
“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qytetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë, po ashtu në Facebook, se epilogu i kryeministrit Kurti, si kryeministër në dialog, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.
“Një kauzë politike e rremë – që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë – përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka thënë ai.
Të dy e kanë përmendur edhe çështjen e njohjes reciproke dhe Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt – pas takimit mes Kurtit dhe Vuçiq atë ditë – nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Krasniqi ka thënë se “marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.
Lidhur me këtë temë, Abdixhiku beson se Kurti i ka siguruar Kosovës ”një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me asociacion plus në të”.
Vetë Kurti ka thënë, pas takimit të 18 marsit, se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar të rëndësishme pajtueshmërinë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime maratonike më 18 mars në Ohër, në prani të negociatorëve evropianë.
“Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre obligimeve, në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin për popullin e Kosovës dhe rajonit”, ka thënë ambasadori Hovenier përmes një postimi në Twitter.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, ka thënë kryediplomati i BE-së.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.
I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka thënë se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.
“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, ka shtuar Vuçiq.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.
“Erdhëm në Ohër për të nënshkruar marrëveshjen bazë me aneksine zbatimit. Kemi arritur pajtim publik për një aneks që do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër, njëjtë si në takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt, po i ikën nënshkrimit. Tash edhe me aneks. I takon BE-së të gjejë mekanizmin që ta bëjë statusin e kësaj marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, tha kryeministri Kurti.
Gati 76 përqind e kosovarëve janë kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Omnibusi të fundit të kompanisë UBO Consulting.
75.9 përqind e kosovarëve janë pajtuar me deklaratën se “Kosova nuk duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, derisa 18.4 përqind s’janë pajtuar me këtë deklaratë.
77.9 përqind e të anketuarve janë të mendimit se “Kryeministri Albin Kurti nuk duhet të pranojë asnjë kusht nga asnjë palë që kërkon krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.
Me deklaratën se “Kuvendi i Kosovës duhet të shfuqizojë Marrëveshjen e vitit 2013 ku parashikohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, janë pajtuar 68.1 përqind e të anketuarve, derisa 26.2 përqind mendojnë se Kosova duhet të japë më shumë për të garantuar të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.
Ndryshe, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 13 mars se është duke i trajtuar 15 modelet evropiane të ofruara nga Bashkimi Evropian për krijimin në Kosovë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti, gjatë një vizite në Kamenicë më 13 mars, nuk deshi të përmendte modelet që BE-ja u ka ofruar autoriteteve të Kosovës, por tha se disa janë më të hershme, e disa edhe rishtazi, që përdoren në shtetet evropiane ku jetojnë pakica kombëtare.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, më 17 mars 2023.
RFE/RL
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pret takim produktiv në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë të shtunën, më 18 mars.
“Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Escobar.
“Ne kemi për qëllim të mbështesim çdo rezultat që sjell më afër paqen e rajonit, dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë, dhe gjithë rajonin, që të bëhen anëtarë të plotë të komunitetit euro-atlantik. Mendojmë që ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së, jep një mundësi të jashtëzakonshme për paqe të qëndrueshme mes dy vendeve”, tha ai.
Escobar këto komente i bëri në një konferencë për media me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.
Osmani, në anën tjetës tha se Kosova shkon drejt Ohrit me mendësinë se një “marrëveshje e drejtë, e qëndrushme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë, stabilitet dhe prosperitet në rajon”.
“Pritshmëria ime si presidente e Kosovës është që marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete të prekshme për Kosovën. Rrjedhimisht do të sigurojë integrimin e Kosovës në institucionet euro-atlantike, do të sigurojë integrimin gjithpërfshirës të komunitetit serb në institucionet e Republikës. Kjo do të rezultojë me shpërbërjen efektive të menjëhershme të të gjitha strukturave ilegale të Serbisë”, tha Osmani.
Ajo tha se beson se kjo marrëveshje përfshin parime të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, “të cilat do ta shtrojnë rrugën drejt njohjes reciproke”.
Escobar sot do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe takimi tjetër do të jetë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këto takimë mes emisarit amerikan dhe udhëheqësve institucionalë të Kosovës zhvillohen një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.
Escobar, do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Prishtinë vjen pasi ai qëndroi dy ditë në Beograd të Serbisë. Atje, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.
Gjatë konferencës në Beograd, Escobari u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile gjatë takimit në Ohër.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon”, tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.
I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.
Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 14 mars se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.
“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në propozimin evropian për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Prishtinë, tetor 2022.
RFE/RL
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka nisur vizitën dyditore në Kosovë, ku do të zhvillojë takime me përfaqësuesit e partive opozitare dhe liderët shtetërorë.
Fillimisht, të enjten ai u takua me përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë, ndërkaq, të premten pritet të takohet fillimisht me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, më pas me kryeministrin Albin Kurti.
Takimi me Osmanin është paraparë të nisë në orën 09:00 dhe dy zyrtarët më pas do të deklarohen për media.
Më pas, në orën 10:20 ai do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në selinë e Qeverisë së Kosovës, për t’u takuar me Kurtin, Escobar do të shkojë në orën 11.00.
Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Kosovë vjen pasi ai qëndroi dy ditë në Beograd të Serbisë. Atje, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministren e këtij shteti, Ana Bërnabiq.
Kjo vizitë po ashtu vjen para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars, në rundin e ri të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.
Escobar do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit, në cilësinë e vëzhguesit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ngaAmbasada amerikane në Shkup.
Dy prej partive më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë shprehur kundërshti lidhur me propozimin evropian, pasi sipas tyre aty nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndërkaq në të palët pajtohen të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, që nënkupton edhe marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për propozimin evropian.
BE-ja ka thënë se Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Ndërkaq, Escobar gjatë konferencës për media në Beograd më 16 mars, tha se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, deklaroi Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.
Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se plani i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.
Ai kujtoi se palët e kanë pranuar atë dhe tha se për zbatimin e tij do të diskutohet në fundjavë.
“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se në këtë moment nuk ka një marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier në një takim me gazetarët, të mërkurën në Prishtinë.
Ai tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.rel
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicolas Abbott e ka vlerësuar këtë javë të rëndësishme për Kosovën. Përmes një postimi në Facebook, ai ka shkruar se është i arritshëm një hap i vërtetë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje do të sjellë disa përfitime praktike dhe disa politike. Qeveria dëshiron të arrijë një plan kohor realist të zbatimit dhe mirëpres që disa parti opozitare po ofrojnë mbështetje të dobishme. Tani është koha për të siguruar një marrëveshje që funksionon për Kosovën. Ne besojmë se po” ka shkruar Abbot.
Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen më 18 mars në Ohër, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në këtë takim pritet që palët të diskutojnë për planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve sipas propozimit evropian, për të cilin të dy liderët u pajtuan në takimin e 27 shkurtit në Bruksel. syri.net
Nga njohja reciproke, te dënimi i kriminelëve të luftës, republikanët e Kosovës dhe Serbisë pakt historik mes tyre
Kreu i republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, tha se kjo marrëveshje është një hap drejt së ardhmes, teksa premtoi se do të punojë për zbardhjen e krimeve të luftës.
Partitë e vogla në Kosovë dhe në Serbi kanë dhënë sot një mesazh shumë të qartë për të dyja anët e kufirit. Ashtu sikundër e paralajmëroi “Pamfleti” dje, Partia Republikane e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë firmosur një marrëveshje për njohje reciproke mes tyre.
Pakti u firmos nga dy liderët e partive Nikola Sanduloviç dhe Faton Kurti. Theks të veçantë, partitë i dhanë formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe zbulimit të varrezave masive të shqiptarëve në Serbi. Sipas tyre, asociacioni është burim konflikti.
Kryetari i Republikanëve të Kosovës, Faton Kurti, e cilësoi këtë marrëveshje si historike, teksa tha se dy partitë kanë ndërmarrë hapa konkret në zbardhjen e krimeve serbe ndaj popullatës shqiptare, që nga viti 2015.
“Është një ngjarje historike për dy vendet tona, ku dy partitë republikane ofrojnë një zgjidhje reale për të ardhmen. Në kohën kur makina e propagandës serbe është më aktive se kurrë kundër Kosovës, historia rrezikon të shtrembërohet. Kurrë më parë gjatë historisë së njerëzimit, nuk ka ndodhur që nga viktima të kërkohet të bëhen lëshime, si formimi i “Zajdenicës” në Kosovë, duke rrezikuar sovranitetin e Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kurti tha se këto dy parti njohin vetëm një rrugë për paqe dhe afrim: Njohjen e ndërsjellë dhe kërkim-faljen nga Serbia. “Një krim i mohuar është vrasje për se dyti, ndaj republikanët në bashkim me republikanët e Serbisë njohin vetëm një rrugë për afrim dhe paqe mes dy popujve tanë – njohja, pranimi, kërkimi i faljes nga ana e Serbisë për gjenocidin në Kosovë. Sot, do të nënshkruajmë marrëveshjen historike mes dy partive republikane, asaj të Kosovës dhe të Serbisë, njohjen reciproke, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, me hyrje të përbashkëta në BE dhe NATO”, ka thënë ai.
Ndërsa kreu i republikanëve të Serbisë, Nikola Sanduloviç, tha se kjo marrëveshje është një hap drejt së ardhmes, teksa premtoi se do të punojë për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Po e përsëris qëndrimin tim, i cili nuk ka ndryshuar që 20 vjet, sepse kam dhënë premtim që të gjithë kriminelët që kanë kryer krime, do të përgjigjen para drejtësisë”, tha ai.
Sanduloviç, muajin e kaluar është takuar me kryeministrin e Kosovës, Aljbin Kurti, ku, siç thotë ai, ia ka bërë të qartë se “Bashkimi i Komunave Serbe është shkatërrues dhe burim i përjetshëm konflikti”.
“Për mua ky është një fakt i papranueshëm dhe mendoj se ne e kemi anashkaluar sekuencën e njohjes reciproke të pavarësisë së të dy vendeve, në mënyrë që çdo marrëveshje në atë propozim të famshëm francezo-gjerman të mund të vazhdojë dhe besoj se po të isha në pushtet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte nënshkrimi i njohjes reciproke të Republikës së Kosovës dhe Serbisë sepse mendoj se kjo është parakusht për të gjitha marrëveshjet e mëtejshme”, tha ai.
Ndërsa, nënkryetari i Republikanëve të Kosovës, Mehmet Prishtina, tha se një ndër kushtet është zbulimi i varrezave masive, teksa ka treguar edhe një rast të suksesshëm që partitë kanë zbardhur. “Një ndër kushtet kryesore ka qenë zbulimi i varrezave masive. Ne kemi punuar që nga viti 2015 për zbulimin e rasteve konkrete të vrasjeve masive nga ish-ushtarët serbe, mund ta ceki vetëm një rast. Ne e kemi sjellë në vitin 2017 dëshmitarin se kush i ka vrarë vëllezërit Bytyçi, dokument i cili ka shkuar edhe në Departamentin e Shtetit amerikan, dhe në kohën e sotme jemi duke punuar konkretisht për rastet specifike për zbulimin e varrezave masive në Kosovë, dhe trupat e përcjellë për Serbi në varreza masive”, tha ai.
Presidentja e Kosovës ,Vjosa Osmani, dhe ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias. 12 mars 2023.
RFE/RL
Presidentja Vjosa Osmani, gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, ka diskutuar edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kështu thuhet në njoftimin për media të Presidencës, më 12 mars, pas takimit që ata patën në Prishtinë.
“Në lidhje me zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se plani i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon, gjersa ka ritheksuar se koordinimi i Kosovës me aleatë në këtë proces do të vazhdojë”, thuhet në njoftim.
Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Veç dialogut, Osmani tha se me ministrin grek ka diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh në mes të Kosovës dhe Greqisë.
“Kosova vazhdon të jetë e angazhuar për paqe afatgjate në rajon, forcim të demokracisë dhe integrim të plotë në institucionet euroatlantike”, shkroi Osmani në Facebook.
Kjo është vizita e gjashtë e ministrit Dendias në Kosovë, tha ajo.
Greqia dhe katër vende të tjera të Bashkimit Evropian – Spanja, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia – nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në shkurt të vitit 2008.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, është një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Ai ka deklaruar së fundmi se duhet të formohet Asociacioni, pasi që serbët kanë jetuar me shekuj në Kosovë.
Megjithatë, sipas ambasadorit amerikan, Kosova dhe Serbia nuk kanë pranuar ende asgjë pavarësisht se shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimit të 27 shkurtit ka thënë se palët kanë pranuar planin evropian.
“Mendoj se po ecë në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse askush ende nuk ka pranuar për asgjë. Nuk dua të flas për gjëra konkrete e afate, por mendoj se e rëndësishme është që çështjet po zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe që shumë e shohin këtë si një test se sa bashkësia ndërkombëtare është e interesuar në zgjidhjen e kësaj çështje, dhe unë mund të them se kështu është. Duhet vetëm durim”, ka deklaruar Hill.
Pas takimit me emisarin evropian Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh i gatshëm që më 18 mars në Ohër ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bazuar në planin franko-gjerman.
E “pranimin” e planit evropian nga Kurti, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, e sheh si një hapje. Por, ai ka pyetur se çfarë do të ndodhë me 150 mijë shqiptarët që jetojnë në Serbi.
“Duket se është një hapje, por çfarë ndodh me 150.000 shqiptarët që jetojnë në Serbi? Pse nuk kanë të drejta shtesë? Dhe pse askush nuk i kërkoi Serbisë të ratifikojë marrëveshjen e 2013-ës?”, ka shkruar Bosch, në një postim në Facebook.
Ai ka shtruar një pyetje edhe për ambasadorin amerikan në Serbi Chrisopher Hill.
“A nuk e sheh dikush siç është ambasadori Hill se ku ka çuar edhe kënaqja e vazhdueshme e Serbisë? A mësojmë ndonjëherë?”, ka thënë diplomati holandez. syri.net
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Fillimisht, kryediplomati grek do të ketë takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas do të pritet edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Takim do të ketë edhe me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz.
“Diskutimet gjatë vizitës pritet të fokusohen në zhvillimet në dialogun Beograd-Prishtinë dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme greke.
Gjuha, tradita dhe kultura shqiptare janë ato që i interesojnë 25-vjeçares Suzana Mariq nga Novi Sadi, qytet në veri të Serbisë. Kjo është arsyeja pse ajo, gjashtë muaj më parë, vendosi të shpërngulet në Prishtinë, në Kosovë dhe të regjistrohet në programin e studimeve të Ballkanistikës në Fakultetin Filologjik.
“Albanologjia në Beograd është e organizuar për të mësuar gjuhën shqipe, ndërkaq ne (në Ballkanistikë në Prishtinë) studiojmë kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe. Ka të bëjë me qasjen gjuhësore dhe kulturore”, thotë Suzana për Radion Evropa e Lirë (REL), derisa po sqaronte se pse ka vendosur që të shpërngulet në Prishtinë, e cila është 450 kilometra larg nga vendlindja e saj Novi Sadi.
Ballkanistika është një program studimi katërvjeçar, i cili u hap në Universitetin e Prishtinës në vitin 2022, me qëllim, ndër të tjera, të promovojë komunikimin ndërgjuhësor dhe ndërkulturor në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përveç gjuhës shqipe, studentët mësojnë edhe gjuhë të tjera ballkanike si: serbe, boshnjake, kroate apo maqedonase.
Në vitin akademik 2022/2023, në Ballkanistikë u regjistruan pesëmbëdhjetë studentë.
Suzana thekson se shqipen e ka dashuruar përmes muzikës, si adoleshente dhe se për të ka qenë “gjuha e fqinjit, për të cilin nuk dimë asgjë”.
Ndërkohë, ajo filloi ta mësonte vetë shqipen dhe po kërkonte mënyra për të ardhur në Kosovë – ku shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë.
Përshtypjet e para nga Kosova
Suzana erdhi në Kosovë për herë të parë në vitin 2019, përmes një kampi shumetnik të organizuar nga sektori civil, ku u takua me Pranverën, e cila tani është shoqja e saj më e mirë.
Ajo shprehet se në atë kohë nuk dinte shumë për Kosovën, por, siç thotë ajo, besonte se “nuk është aq e tmerrshme sa paraqitet në media (në Serbi)”.
“Pasi erdha për herë të parë në Kosovë, kur pata një eksperiencë shumë të bukur, vazhdova të vija, sepse bëra miq, Pranverën. Përmes saj takova miq të tjerë. Vija çdo tre muaj”, thotë Suzana.
Ajo thekson se është e lumtur që vizita e saj e parë në Kosovë ishte përmes një programi të sektorit civil dhe që ishte pjesë e një kampi shumetnik dhe pati mundësinë të njihej me “anën tjetër të Kosovës”.
“Kemi këto organizata turistike (në Serbi) që organizojnë turne nëpër Kosovë. Sikur të kisha ardhur në atë mënyrë (për herë të parë në Kosovë), ndoshta nuk do të kisha ardhur më. Ata kalojnë nëpër enklava (mjediset serbe në Kosovë). Kërkoj falje, por nuk më pëlqen kjo qasje”, thotë Suzana Mariq.
Duke mësuar gjuhën e deri te toleranca
Shoqëria kosovare është e ndarë pas ngjarjeve të luftës së viteve ‘90, ndërkaq Prishtina dhe Beogradi kanë mbi dhjetë vjet që po zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Suzana Mariq konsideron se mësimi i gjuhëve do t’i ndihmonte të rinjtë nga komuniteti serb dhe shqiptar t’i kapërcejnë pengesat që qëndrojnë mes tyre.
“Përmes gjuhës, ne mësojmë traditat, kulturën, zakonet dhe njohim qëndrimet. Mund të mësojmë shumë më tepër nëse flasim gjuhën e fqinjëve tanë”, shprehet Suzana.
Ajo thekson se për të “kultura, traditat dhe gjuhët e ndryshme të njerëzve në Ballkan janë bukuri e jo problem”.
I fejuari i Suzanës, të cilin ajo e ka takuar në Kroaci, është një shqiptar i Kosovës. Duke buzëqeshur, ajo thotë se i fejuari i saj Genti u kthye në Kosovë për shkak të saj, pasi ajo vendosi të studiojë Ballkanistikën këtu.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se ka informuar partitë opozitare në Kosovë lidhur me pritjet e komunitetit ndërkombëtar, sa i përket zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë 10 marsit, Lajçak u takua me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“I informova për procesin, për pritjet e komunitetit ndërkombëtar. Ata shpjeguan qëndrimet e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjeve për takimin e 18 marsit dhe është shumë e rëndësishme që ata të dëgjojnë nga unë, jo vetëm nga mediat apo në Parlament. Prandaj, për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, tha Lajçak për mediat në Prishtinë, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë.
Zyrtari i lartë evropian tha se ishte e rëndësishme për të që të takohej me opozitën, në kohën kur blloku evropian po përgatit takimin e radhës të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që është caktuar të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut më 18 mars.
Më herët gjatë ditës, kryetari i PDK-së në opozitë, Memli Krasniqi, në një konferencë për media pas takimit me emisarin e BE-së tha ka shprehur rezerva mbi Marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë.
Ai tha se PDK-ja e sheh atë si një “marrëveshje të përkohshme” që nuk e ka në qendër njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë por e ka në qendër Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Pa njohje të ndërsjellë ne do të kemi vazhdim të dialogut, ashtu siç e parasheh neni 6 i marrëveshjes; do të ketë pra një vazhdimësi të pafundme të këtij procesi i cili do të jetë kush e di sa i gjatë, por që krijon një status-quo të re, e cila nuk e përfundon konfliktin e ngrirë me Sebinë”, tha Krasniqi.
“[Marrëveshja] nuk i adreson qëllimet shtetërore të Kosovës dhe që përtej hapave potencialisht pozitivë përpara, krijon po ashtu edhe shumë pikëpyetje, për të cilat kryeministri i Kosovës, si përgjegjësi kryesor i kësaj çështjeje, nuk e ka dhënë asnjë përgjigje”, u shpreh Krasniqi.
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas takimit me Lajçak, tha se mbështet procesin e dialogut, por kërkon një marrëveshje të “përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”.
Çka thotë preambula e propozimit evropian?
Palët kontraktuese,
Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;
Të përkushtuara për të kontribuuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës;
Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;
Të vetëdijshme për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimin e integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;
Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit;
Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve…
“Në takim, kryetari [i LDK-së, Lumir] Abdixhiku i kërkoi Lajçak sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”, u tha në njoftimin e LDK-së.
Çfarë thotë Neni 7?
Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Parita tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), përmes nënkryetarit të saj, Ardian Gjini, pas takimit me Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin përkrahës ndaj planit evropian.
“E ripërsëritëm qëndrimin e Alencës, se ka të arritura serioze në këtë dokument. E kuptojmë që nuk është njohja de-jure e Kosovës, mirëpo e kuptojmë që marrëveshja përmban elemente të cilat krijojnë marrëdhënie krejt të reja në Ballkan, e posaccërisht mes Kosovës dhe Serbisë, krijojnë rrethana që e nxjerrin Kosovën në situatë krejt tjetër”, u shpreh Gjini në konferencën për media.
“Ne jemi të bindur si parti politike që rruga përpara për Kosovën hapet seriozisht fuqishëm nëse e mbërrijmë këtë marrëveshje”, tha ai.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak u takua edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, të cilët më pas njoftuan se kanë insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Formimi i Asociacionit, siguria, mbrojtja e të drejtave kolektive dhe individuale të popullit serb janë parakusht për normalizimin e marrëdhënieve”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.
Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga dita e enjte, prej kur ka zhvilluar takime me presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.
Lajçak, pas takimit në PDK, do të zhvillojë takime edhe me partitë tjera opozitare të Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla ka falenderuar në Twitter presidnetin e Kroacisë Zoran Milanović për deklaratën e tij që të gjitha shtetet e BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës. Siç dihet pesë shtete nga BE nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës, paçka se kanë kaluar 15 vjet. Këta shtete janë Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro.
“Ne presim që të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian ta njohin pavarësinë e Kosovës.Hvala, presidenti Milanoviq, për një deklaratë të qartë.Mirënjohës për miqësinë mes dy vendeve tona, të cilët kanë ndihmuar njëri-tjetrin në momentet më të vështira të historisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Prishtinë, 9 mars 2023.
RFE/RL
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm të nënshkruajë Marrëveshjen për normalizim me Serbinë, gjatë takimit që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Këto deklarata ai i bëri gjatë takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“Ai [Kurti] shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, Lajçak tha për mediat se me Kurtin zhvilloi një takim “konstruktiv, të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm”.
Pas takimit me Kurtin, Lajçak tha se qëllimi i vizitës së tij dyditore është që të dëgjojë qëndrimin e Kosovës lidhur me propozimin evropian për normalizim, për të cilin palët u pajtuan gjatë takimit të 27 shkurtit, në mënyrë që në takimin e radhës në Ohër, palët të mund të bëjnë hapin e radhës, atë të finalizimit të marrëveshjes.
“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që të marrë informacione se si Kosova e sheh zbatimin dhe ky takim ka përmbushur pritjet e mia në këtë kontekst. Unë do të jem në Beograd të hënën dhe të martën me të njëjtin qëllim, që të dëgjojmë nga Serbia se si e shohin zbatimin e atij dokumenti”, tha Lajçak.
“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, theksoi ai për gazetarët në Prishtinë.
Sipas Lajçakut, BE-ja është e përqendruar në atë që ai e quajti “hap i dytë” që ka të bëjë me finalizimin e planit të zbatimit, që tha se kur të përfundohet, do të kalohet në hapin e radhës, që është formalizimi.
“Do ta diskutojmë këtë në Ohër, por synimi është që ta finalizojmë dhe ta finalizojmë udhërrëfyesin për zbatim”, theksoi ai.
Sipas zyrtarit të lartë evropian, në këtë fazë duhet të dihen hapat dhe afatet se si do të zbatohet propozimi evropian, që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.
“Në të kundërtën, [propozimi evropian] do të jetë vetëm një dokument i obligueshëm në aspektin politik, por jo zyrtarisht i obligueshëm”, tha Lajçak.
Zyrtari i lartë evropian foli për mundësinë e organizimit të një ceremonie nënshkrimi në Ohër.
“Nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë hisedarë që po e mbështesin këtë proces dhe besojmë se do të ishte d rejtë që edhe ata të ishin pjesë e kësaj”, tha ai për televizionin vendor ATV.
Lajçak gjatë vizitës në Prishtinë, fillimisht u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani kërkon që zbatimi i propozimit evropian të mos cenojë sovranitetin e Kosovës
Sipas njoftimit për media, Osmani gjatë takimit tha se plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në frymën e “paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”.
Osmani tha po ashtu se Kosova është konstruktive në dialogun me Serbinë dhe mbetet e angazhuar në këtë proces, “ndërsa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese”, u tha në njoftimin e Presidencës.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, zyrtari i lartë evropianë do të takohet edhe me përfaqësuesit e partive opozitare dhe komunitetin ndërkombëtar.
Sipas BE-së, pas qëndrimit në Kosovë, më 13 dhe 14 mars, Lajçak do të vizitojë Beogradin.
Vizita e Lajçakut në Prishtinë dhe Beograd pason takimin e 27 shkurtit, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranuan planin evropian për normalizimin e raporteve. Bartësit e dialogut, po ashtu, u shprehën të gatshëm të punojnë në planin për zbatimin e këtij propozimi.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 8 mars, se po vazhdojnë përgatitjet për takimin në Ohër.
“Do të shohim se si do të mund t’ia bashkëngjisim propozimit të dakorduar evropian edhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithpërfshirja dhe nga efikasiteti”, tha ai.
Sipas BE-së, në Ohër, Lajçak dhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, fillimisht do të mbajnë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq, dhe më pas takimi trilateral do të përqendrohet në finalizimin e planit të zbatinmit të propozimit evropian.
Pavarësisht se e pranuan planin, që Kosovës dhe Serbisë fillimisht u ishte dorëzuar vitin e kaluar, Kurti dhe Vuçiq nuk e nënshkruan dokumentin gjatë takimit të 27 shkurtit.
Kurti deklaroi se ishte i gatshëm ta nënshkruante propozimin evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, këtë gatishmëri nuk e pati pala serbe.
Një zyrtar i Bashkimit Evropian, gjatë një takimi me gazetarë më 2 mars në Bruksel ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara Propozimin Evropian – Marrëveshjen drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin ose planin e zbatimit.
BE-ja ka thënë se Lajçak, përmes vizitave në Kosovë dhe Serbi, do të ndihmojë palët që të finalizojnë diskutimet për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Blloku evropian ka thënë se pret që puna për zbatimin e propozimit të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
Propozimi evropian synon që të çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik më 27 shkurt nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Ky dokument, që fillimisht njihej si propozimi franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë pikëpamje të ndryshme rreth marrëveshjes përfundimtare. Përderisa Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ani pse dikur shprehej kategorikisht kundër themelimit të “Zajednicës”, ka thënë se Asociacioni duhet të themelohet pas njohjes ‘de facto’ të Kosovës nga ana e Serbisë, nëpërmjet marrëveshjes evropiane.
Konjufca këtë e ka deklaruar për një intervistë për ATV-në, duke thënë se Qeveria Kurti dhe SHBA nuk kanë dallime sa i përket marrëveshjes evropiane.
“SHBA mendoj që për ta bindur Serbinë për nënshkruar marrëveshjen po e theksojnë Asociacionin. S’bon me e themelu Asociacionin para marrëveshjes. Në Ohër duhet me shku me pozicionin tonë. Ndodh njohja ‘de facto’ dhe më pas Kosova ja gjen modusin Asociacionit”, ka thënë i pari i Kuvendit.
Më tej, Konjufca është shprehur pesimist sa i përket pranimit të marrëveshjes evropiane nga pala serbe.
“Ajo çka është e lejushme për Kosovën unë mendoj se mund të ishte vetëm ndonjë lloj dëmtimi abstrakt. Pra, na çka po mundohemi me bë: Kosova përmes një premtimi dhe një instruksioni të Gjykatës Kushtetuese po don me e nxjerrë njohjen de facto. Kurrgjë tu dhënë më shumë sesa Gjykata Kushtetuese na me mujtë me e kapë njohjen ‘de facto’. Kjo nuk do të ndodhë për arsye se Serbia nuk do ta pranojë këtë”, deklaroi ai.
Tutje, ai ka ri-potencuar garancinë e SHBA-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përbrenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Në raportin më të ri të organizatës Freedom House për lirinë në botë, Kosova renditet e treta në listë për përmirësimet e bëra në këtë fushë. Edhe pse mbetet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, Kosova vlerësohet me plus 4 pikë për përmirësimin e të drejtave politike dhe të lirive civile.
Raporti i publikuar më 9 mars vë në dukje se përmirësimet më të mëdha gjatë vitit 2022 janë bërë në Kolumbi, e cila vlerësohet me +6 pikë. Pas saj renditet Sllovenia me +5 pikë, pasojnë Kosova, Kenia dhe San Marino me nga +4 pikë, njofton Radio Evropa e Lirë.
Në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira janë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina.
Freedom House vlerësoi 210 vende dhe territore në gjithë botën, prej të cilave 84 vende janë të lira, ashtu si edhe një territor, 54 vende dhe katër territore janë pjesërisht të lira dhe 57 vende dhe 10 territore janë jo të lira.
Burkina Faso, me dy grushtshtete në vitin 2022, pësoi rënien më të madhe të pikëve. Ajo humbi 23 pikë në shkallën 100-pikëshe të raportit, e ndjekur nga Ukraina, e cila humbi 11 pikë si rezultat i pushtimit rus.
Rënie pësuan edhe Tunizia, Nikaragua, Guinea, El Salvadori, Hungaria dhe Rusia.
“Hendeku midis numrit të vendeve që regjistruan përmirësime të përgjithshme në të drejtat politike dhe liritë civile dhe atyre që regjistruan rënie të përgjithshme në vitin 2022, ishte më i ngushti që ka qenë ndonjëherë në 17 vjetët e fundit”, thuhet në raport.
Përmirësime bënë 34 vende, ndërsa rënie shënuan 35.
Sipas raportit, përmirësimet, mes tjerash, u nxitën nga zgjedhjet më konkurruese, si dhe nga heqja e kufizimeve që lidheshin me pandeminë e koronavirusit dhe që ndikuan në mënyrë joproporcionale lirinë e grumbullimit dhe lirinë e lëvizjes.
Pengesat më serioze për lirinë dhe demokracinë, sipas raportit, ishin rezultat i luftërave, grushtshteteve dhe sulmeve ndaj institucioneve demokratike nga pushtetarët joliberalë.
“Regjimi autoritar i Rusisë nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, në përpjekje për të shuar përparimin demokratik të atij vendi, të arritur me vështirësi”, thuhet në raport.
Sipas tij, “grushtshtetet dhe përpjekjet e tjera për t’i minuar qeveritë përfaqësuese, destabilizuan Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin”.
Freedom House kujton se regjimi taliban i Afganistanit i ndaloi vajzat të arsimoheshin, në mes të një krize të vazhdueshme ekonomike dhe humanitare.
“Qeveritë dhe fuqitë okupuese përdorën dhunë dhe mjete të tjera për të shkatërruar kulturat dhe për të ndryshuar përbërjen etnike të popullsive në 21 vende dhe territore, përfshirë Ukrainën, Etiopinë dhe Mianmarin”, thekson raporti i organizatës me seli në Nju Jork.
Aty thuhet se viti 2022 solli pak a shumë të njëjtën gjë në lidhje me lirinë e mediave, e cila u vu nën presion në së paku 157 vende dhe territore.
Liria e shprehjes personale, sipas raportit, pësoi gjithashtu, për shkak të shkeljeve të privatësisë, ngacmimeve dhe frikësimeve.
Megjithatë, bota është dukshëm më e lirë sot sesa ishte 50 vjet më parë, thekson Freedom House.
Në vitin 1973, kujton organizata, 44 nga 148 vende u vlerësuan si të lira. Sot, sipas saj, 84 nga 195 vende e kanë atë status – plus një territor.
“Protestat e vazhdueshme kundër represionit në Iran, Kubë, Kinë dhe vende të tjera autoritare sugjerojnë se dëshira e njerëzve për liri është e guximshme dhe se asnjë pengesë nuk duhet të konsiderohet si e përhershme”, thuhet në raport.
Nga 57 vendet që u cilësuan si jo të lira, në fund të listës janë: Sudani Jugor, Siria, Turkmenistani, Eritrea dhe Koreja e Veriut.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian do të mblidhet sot, ndërkaq në rend dite është edhe aprovimi i liberalizimit të vizave për Kosovën.
Demush Shasha, drejtor i Instituti të Kosovës për Politikat Evropiane (EPIK) në një postim në Facebook ka bërë të ditur se kjo nënkupton që konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik
“Lajm i shkëlqyer që Këshilli i Ministrave të BE-së do të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën, nën ‘pikën A’ që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik”, ka shkruar Shasha në Facebook.
Më 12 janar të këtij viti Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave.
Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren për udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.
Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për të mos pasur viza për kosovarët do të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtimet (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari 2024.
Sipas rregullave, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore.bw
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, vazhdon ta mbështesë propozimin evropian duke qenë i bindur se aty përfshihet edhe njohja e Kosovës ani pse një gjë e tillë nuk thuhet në mënyrë eksplicite.
“Besoj se pasi ka dakordim për planin, për aneksin për implementim është në përfundim puna. Pra, pritet që në ditët që vijnë shumë shpejt të arrihet dakordimi për aneksin për implementim,” – u shpreh lideri i partisë së tretë opozitare.
Haradinaj shprehu shqetësim edhe në lidhje me zgjedhjet e parakohshme lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, që ishin shtyrë nga dhjetori për në prill.
“Me rëndësi për Kosovën është që të fitohet në kohë për shkak se nëse marrëveshja arrihet gjatë këtij muaji atëherë do të mund t’i mbajmë zgjedhjet e rregullta në veri, ashtu siç ishte paraparë,”
Ai në lidhje me njohjen i tha këto fjalë:
“… e ka njohjen marrëveshja, e ka njohjen në planin ndërkombëtar. Pra, Serbia e njeh Pavarësinë e Kosovës, të drejtat si shtet i pavarur, i barabartë në bazë të kartës së OKB-së në planin ndërkombëtar,” – shtoi ai.
AAK është partia e vetme opozitare që e mbështet Propozimin Evropian, tash për tash. syri.net
Me thirrjet “Patriarkati vret” dhe “Vrasjet ndaj grave janë të paralajmëruara” kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, ka nisur të mërkurën një protestë, në kërkim të respektimit të të drejtave të grave në Kosovë.
Protesta ka nisur para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë dhe marshi pritet të vazhdojë edhe në sheshin Zahir Pajaziti në mesditë.
Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë, në datën e njëjtë – 8 Mars – kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas.
Protestuesit janë dëgjuar edhe duke kërkuar dënime maksimale për vrasësit, dhunuesit dhe ngacmuesit e grave, dhe për më shumë siguri për gratë në ambientet publike dhe private.
Elvedina Hajdari, e cila ka thënë se ka qenë viktimë e dhunës në familje, ka thënë në protestë se është në kërkim të drejtësisë për gratë.
Ajo ka thënë se institucionet e drejtësisë shpesh bëhen bashkëfajtore në dhunën që ushtrohet ndaj grave.
“Si e mbijetuar e dhunës në familje, prej që e kam raportuar rastin më 2021, po bëhen dy vjet që unë luftoj për drejtësi dhe të drejtat e mia. Unë jam dëshmitare e neglizhencës, mosbesimit dhe padrejtësive të vazhdueshme që u bëhen grave nga policia, prokuria dhe gjykata”.
Përfaqësues të Rrjetit të Grave të Kosovës u kanë thënë të mërkurën mediave se as këtë vit nuk do të festohet, pasi gjendja e grave në shoqëri vazhdon të mbetet shqetësuese.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, çdo vit raportohen dhjetëra raste të dhunës seksuale.
Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se numri më i madh i viktimave të kësaj dhune janë vajzat e moshës 13 deri në 16 vjeç.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime nga dy deri në 15 vjet burgim për dhunime e sulmet tjera seksuale.
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.
Ky vendim u mor më 8 mars, në mbledhjen e Qeverisë, e cila miratoi rekomandimin e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, për ta zgjedhur atë në krye të Policisë.
Zëvendësministri i Brendshëm, Bardhyl Dobra, tha në mbledhjen e ekzekutivit se për këtë pozitë kanë aplikuar pesë kandidatë, prej të cilëve tre kanë hyrë në listën e ngushtë.
Veç Hoxhës, në garë ishin edhe Granit Fetahu dhe Bahri Shala.
Në gusht të vitit të kaluar, drejtori i PK-së, Samedin Mehmeti, dha dorëheqje nga ky post. Arsyeja e dorëheqjes lidhej me “arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçarjeje në Prishtinë.
Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte caktuar si ushtrues detyre të drejtorit të Përgjithshëm, Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i PK-së.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar sot një shtetas serb të dyshuar se ka kryer krime lufte në Kosovë.
Mbi rastin ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, i cili tha se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk harrohen e as nuk i falen.
“Drejtësia për secilin akt çnjerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme. Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marr pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht. Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.bw
Vetëm 14 vende në botë kanë ligje që iu japin grave të drejta të njëjta sikurse burrave. Në shumë vende gratë pensionohen përpara se t’i gëzojnë të drejtat e barabarta.
Dhjetëra vajza në Prishtinë po mësojnë se si të vetëmbrohen, në një kurs të organizatës joqeveritare Artpolis. Pas rasteve të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale ndaj grave në Kosovë, shumë vajza kanë shprehur interesim për ta ndjekur kursin “Çikat e sjellshme”.
25 vite nga sulmi i tretë i familjes së Shaban (Murat) Jasharit, përkatësisht familjes së kryekomandantit, Adem ( Shaban ) Jashari.
Më 5 mars 1998 në orët e hershme të mëngjesit hordhit kriminele çetnike serbe nisen nga Mitrovica drejt Prekazit të Jasharëve, veprimtarë nga Mitrovica përmes telefoni fiks e njoftojnë njerin prej ushtarëve ma të dëvotshëm të UÇK-së, Shani ( Zeqir) Geci-Bajraktari se nga Mitrovica janë duke shkuar drejt Skenderajt forca të shumta ushtarako-policore çetnike serbe të paisur me artileri, tanksa e automjete të ndryshme të blinduara, të rënda.
Shaniu menjëherë përmes telefoni, rreth orës 4:00 të mëngjesit e lajmëron kryekomandantin, Adem Jashari dhe e njofton “kemi lajme të kqija, nga Mitrovica me lajmëruan se forca të shumta ushtarako-policore çetnike serbe janë duke ardhur në drejtim të Skenderajt. Kryekomandanti, Adem Jashari i përgjigjet, Shaniut “ dajë na koftë për hajr lufta me çetnik”, Shaniu duke pasur informator të shumtë njoftohet se çetnikët kanë arritur në Skenderaj dhe prej orës 4:00 deri në orën 8:00 të mëngjesit kohë pas kohe e njofton kryekomandantin për lëvizjet e hordhive çetnike, e njofton se çetnikët po e rrethojnë Llaushën, Skenderajn, Prekazin etj. dhe vazhdimisht duke e lutur “ O nip, komandanti jonë, largoj familjarët, gra e fëmijë nga shtëpia “.
Lujtjet e Shaniut ishin të kota pasi kryekomandanti, përkatësisht e gjithë familja 20 anëtarëshe e Shabanit që ishin në shtëpi kishin vendosur që mos të largohen nga shtëpia por të luftojnë, përkatësisht t’ju ndihmojnë, Shabanit, Hamzës dhe kryekomandatit. Kështu që kjo familje 20 antarëshe ranë heroikisht duke luftuar për lirinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njofuar se ka filluar një aksion në disa qytete të Kosovës, në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”.
“Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në lokacione të ndryshme”, thuhet në një komunikatë për media nga kjo prokurori.
Aksioni është zhvilluar në qytetin e Prishtinës, Ferizajit, Vushtrrisë dhe Lipjanit, për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Detyrimi”.
Aksionet për rastin “Brezovica”, kanë nisur qysh në fund të vitit të 2021.
Deri më tash janë hetuar mbi 100 persona, përfshirë zyrtarë të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, zyrtarë komunalë dhe pronarë të kompanive private.
Në hetim për këtë rast aktualisht janë edhe 40 persona.
Kompleksi turistik “Brezovica” që gjendet në Komunën e Shtërpcës, dhe konsiderohet një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë.
Sipas prokurorisë, nga viti 2013 deri në vitin 2022, në këtë qendër janë ndërtuar më shumë se 100 objekte në mënyrë të jashtëligjshme.
Për ndërtimin e tyre, prokuroria ka thënë se janë dhënë më shumë se 2 milionë euro ryshfet.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të raportojë në Kuvend në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi, të enjten, nga ora 13:00.
Kjo u bë pas kërkesës së liderëve të partive opozitare në Kuvend, pas takimit të nivelit të lartë që Kurti e kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt në Bruksel.
Këtë ditë, Kurti dhe Vuçiq u pajtuan të pranojnë propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Mocionin për ndryshimin e rendit të ditës të seancës për të përfshirë një raportim të kryeministrit para deputetëve, e bëri kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku, gjatë prezantimit të këtij mocioni, kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Marrëveshja(propozimi evropian) e paprezantuar në Kuvend, u prezantua po në natën e 27 shkurtit. Nga ky publikim u vërtetuan të gjitha brengat tona të ngritura në këtë Kuvend. Ajo as nuk ishte finale, as nuk përmbante njohjen e ndërsjellë”, tha Abdixhiku.
Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër të tjerat përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.
“Marrëveshja Kurti-Vuçiq përveçse tejkalon trashëgiminë e së shkuarës, sjell neturalitetin ndaj statusit politik dhe atë si vlerë”, tha ai.
Kryeministri Kurti nuk ishte i pranishëm në Kuvend dhe këtë fakt e kritikoi kryetari i partisë tjetër opozitare, Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Sot është dita e katërt që prej kur kryeministri ka deklaruar se e pranon marrëveshjen në bazë të propozimit evropian. Një politikan i përgjegjëshëm do të kishte ardhur vetë, pa e ftuar. Por, kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot. Unë nuk e kuptoj çfarë pune më të rëndësishme ka sot”, tha ai.
Në fillim të seancës, kërkesën e opozitës dhe komentet e tyre për propozimin evropian i kundërshtoi Mimoza Kusari-Lila, shefe e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Dua t’ia kujtoj Lumir Abdixhikut se nga e njëjta foltore e ka akuzuar kryeministrin për izolim të Kosovës, për mosbashkërendim me aleatët ndërkombëtarë…”, tha Kusari-Lila.
Më vonë, Kusari- Lila bëri të ditur në Kuvend se Kurti është treguar i gatshëm për të raportuar në Kuvend më vonë.
Deputetët më pas votuan mocionin që debati parlamentar në lidhje dialogun Kosovë-Serbi dhe raportimi i Kurtit të nisë nga ora 13:00.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Koha e fluturimit me avion nga Kosova drejt shteteve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas, do të shkurtohet, në rast të hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë.
Me shkurtimin e kohës – deri në 30 minuta për vajtje-ardhje – do të zvogëlohet edhe çmimi i biletave, thotë për Radion Evropa e Lirë Albion Idrizi, magjistër i aviacionit.
Aktualisht, thotë ai, çmimi mestar i një bilete njëdrejtimëshe nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro. Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, ndërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.
Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës realizohen vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër, por nuk është zbatuar kurrë.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk është zbatuar për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i AAC-së, thotë se KFOR-i, këtë muaj, e ka dhënë lejen për shfrytëzimin e pikave Kukad dhe Arbër, dhe se ato pritet të lëshohen në shfrytëzim “së shpejti”.
KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “ka miratuar mundësinë e hapjes së korridoreve ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, por nuk jep shumë detaje.
“Pikat Kukad dhe Arbër janë në territorin shqiptar, kështu që institucionet e aviacionit të atij vendi janë autoritetet përgjegjëse për planifikimin dhe menaxhimin e asaj hapësire ajrore”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.
REL-i pyeti Agjencinë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë, Albcontrol, se cilat janë arsyet e mosplanifikimit të fluturimeve përmes Kukadit dhe Arbërit deri më tash dhe kur saktësisht pritet të lëshohen në shfrytëzim këto dy pika, por nuk mori përgjigje.
Me të njëjtat pyetje, REL-i iu drejtua edhe Organizatës Evropiane për Sigurinë e Navigacionit, Eurocontrol, e cila në përgjigje tha se “përgjegjësia për krijimin dhe shpalljen e pikave të navigacionit i takon shtetit përkatës [v.j. në këtë rast Shqipërisë] dhe jo Eurocontrol-it”.
Ejupi, nga AAC-ja, pret që dy pikat koordinuese, Kukad dhe Arbër, të shenjëzohen shpejt në hartat e Eurocontrol-it, por nuk jep ndonjë datë të saktë.
Pas finalizimit të kësaj procedure, ai beson se të gjitha kompanitë ajrore që operojnë në tregun e Kosovës, do t’i shfrytëzojnë këto dy pika.
Përfitimet nga korridoret e reja ajrore
Remzi Ejupi, themelues i kompanisë ajrore të Kosovës “Eurokoha”, e cilëson si “jashtëzakonisht të rëndësishëm” korridorin ajror me Shqipërinë.
Ngjashëm sikurse Idrizi, edhe ai thotë se koha e fluturimeve drejt vendeve të BE-së do të shkurtohej për së paku gjysmë ore.
“Të shkurtohet rruga për këto minuta, zvogëlohen [edhe] shpenzimet për karburante dhe kjo automatikisht ul çmimin e biletave”, thotë Ejupi për Radion Evropa e Lirë.
Vitin e kaluar, për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” kanë udhëtuar rreth tre milionë qytetarë, me 21.842 fluturime.
Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë qenë destinacionet më të shpeshta.
Idrizi thotë se korridori ajror me Shqipërinë do ta bëjë Aeroportin e Prishtinës “më konkurrent në rajon” dhe “më joshës për kompanitë ajrore”, për shkak të kostos më të ulët të operimit.
Ai thotë se Kosova duhet të hapë korridor ajror edhe me Malin e Zi, për shkak të pozitës gjeografike që ka ky shtet.
“Korridori me Malin e Zi është edhe më i rëndësishëm se me Shqipërinë, pasi që ky shtet kufizohet me pjesën veriperëndimore të Kosovës – pra, në drejtim të Gjermanisë dhe Zvicrës, që janë destinacionet me të cilat kemi më së shumti trafik ajror. Shkurtimi për çdo fluturim do të ishte 20 minuta në një drejtim”, thotë Idrizi për Radion Evropa e Lirë.
Drejtori i AAC-së, Ejupi, thotë se bisedimet me Malin e Zi për këtë çështje janë në zhvillim e sipër, por se “ende nuk ka diçka konkrete”.
Korridori ajror me Serbinë – vend tjetër me të cilin kufizohet Kosova – është pezulluar qysh pas luftës, më 1999.
Edhe pse ka pasur paralajmërime se në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Ndryshe nga hapësira e ulët ajrore e Kosovës që menaxhohet nga AAC-ja, hapësira e lartë – ajo mbi 6.200 metra, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014 – është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it. Kjo, për shkak se Kosova nuk ka arritur ende kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.
Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i KFOR-it është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës që nga viti 1999.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit në Bruksel ka thënë se ka qenë i gatshëm ta vendosë nënshkrimin e tij në marrëveshje, por se pala tjetër edhe pse u pajtua nuk pati gatishmërinë ta vendosë nënshkrimin në dokument, njofton RTK.
“Patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel. Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë se është bazë e mirë dhe platformë solide për ecje para. Tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Do të ketë edhe diplomaci fluturuese po edhe takim të radhës të nivelit të lartë kah mesi i muajit të ardhshëm. Unë i falënderoj z. Borrell dhe z. Lajçak për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë dhe njëpasnjëshme të normalizimit të marrëdhënieve për fqinjësisë së mirë evropiane”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri e ka konsideruar si dëm faktin që sonte nuk është nënshkruar asgjë lidhur me atë për të cilën palët janë pajtuar.
“Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj. Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst, por pala tjetër nuk ishte e gatshme, edhe pse u pajtua”, ka shtuar Kurti.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të zbatohet Asociacioni me këtë plan, kryeministri Kurti ka thënë se “ajo është fjalia e fundit, praktikisht e nenit të fundit dhe për këtë gjë tash jam përgjigjur”.
Borrell: Sot kemi arritur progres, takimi i radhës në mars
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se dy liderët kanë bërë progres dhe janë zotuar që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel.
Ai ka vlerësuar faktin se të dy palët janë deklaruar se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së.
“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit evropian që e ka titullin ‘Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka theksuar Borrell, sipas të cilit ky plan do të publikohet nga BE.
Ai tutje ka thënë se kjo marrëveshje mbi të gjitha është për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, pasi ofron mundësi të mira për lëvizje të lirë, tregti të lirë pa burokracitë e deritashme.
Ai ka thënë se për serbët në Kosovë kjo do të thotë më shumë siguri dhe përshtatshmëri dhe më shumë të drejta.
Borrell ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. “Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar marrëveshjen, porse nevojiten ende negociata tjera për të përcaktuar modalitetet. Diplomacia ecajake do të vazhdojë”, ka shtuar Borrell, i cili ka bërë të ditur se në mes të muajit të ardhshëm do të ftojë dy liderët për një takim tjetër, për siç ka thënë finalizimin e diskutimeve.
I dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar po qëndron në Bruksel, aty ku pritet të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosoëvs, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kështu ka bërë të ditur korrespodentja e RTK-së, Gjeraqina Tuhina nga Brukseli.
Ajo nuk ka arritur të konfirmojë nëse Escobar do të marrë pjesë në takimet mes palëve, por ka thënë se ai është parë në Bruksel.
“Në qytet gjendet edhe Gabriel Escobar, akoma nuk ka konfirmim se do t’i takojë palët por vetëm prezenca e tij tregon edhe për presion e pritjet e larta që ka jo vetëm BE-ja por edhe Amerika që ky takim të rezultojë pozitivisht.”, ka thënë ajo në lidhje direkte.
Ndryshe, pas disa muajve pa takime, Kurti dhe Vuçiq do të takohen përsëri në Bruskel. Kësaj radhe, në tavolinë të diskutimeve është propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dy palët kanë pranuar në parim planin franko-gjerman teksa sot kjo gjë do të bëhet e ditur nëse edhe zyrtarisht Kurti e Vuçiq do të ‘puthin’ propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimet do të fillojnë në ora 15:00, ku Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, bashkë me Lajçakun, pritet të zhvillojnë takime të veçanta me Kurtin dhe Vuçiqin.
Ndërkaq në orën 16:15, kryediplomati Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimeve të veçanta, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas kësaj do të ketë një deklaratë për media nga Borell.
Kryeministri Albin Kurti së bashku me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ditën e diel e ka kaluar te familjet Demaçi e Dehari.
Kryeministri Kurti ka ndarë fotografi nga vizitat e tij tek këto dy familje, teksa ka shkruar se Adem Demaçi e Astrit Dehari sot e kanë ditëlindjen.
“Vizituam familjet e tyre – përplot kujtime mallëngjyese e udhërrëfyese. Njëri si e vërteta e shqiptarëve në raport me Serbinë, tjetri si konfirmim i asaj të vërtete dhe drejtësi ende e munguar në Kosovë. Kush jehon, rron edhe kur s’jeton. Si këta dy”, shkruan Kurti ndër të tjera. syri.net
Diplomati amerikan në pension, Michael Kirby ka folur për takimin e 27 shkurtit që do të mbahet në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kirby ka thënë se mendon që Kosova do të pajtohet për themelimin e Asociacionit nëse do të ketë një marrëveshje mbi bazën e propozimit franko-gjerman.
Megjithatë ai ka thënë se implementimi i saj do të vonohet sa më shumë që të jetë e mundur, edhe pse është një çështje për të cilën është bërë një dakordim. Ai ka thënë se s’pret që zbatimi të fillojë menjëherë në javën e ardhshme meqë është një çështje që kërkon mirëkuptim.
Duke folur për kthimin e serbëve në institucione, Kirby thotë se diçka e tillë do të ndodh sapo Beogradi ta japë sinjalin për diçka të tillë, megjithatë shton se për këtë duhet të ndodhë diçka që të përdoret si arsye.
“Mendoj se Kosova do të pajtohet me themelimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe – nëse arrihet një marrëveshje për propozimin evropian për normalizim. Ajo do të vonohet sa më shumë që të jetë e mundur – edhe pse tashmë është një çështje e dakorduar, zbatimi i së cilës është bërë i dhimbshëm. Unë nuk pres që një vendim mund të merret javën e ardhshme – sepse diçka e tillë kërkon një mirëkuptim themelor. Kur është fjala për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës – kjo do të ndodhë sapo Beogradi të sinjalizojë se ata duhet ta bëjnë këtë. Për këtë duhet të ndodhë diçka që do të përdoret si arsye për të tërhequr një lëvizje të tillë ”, ka thënë diplomati në pension Michael Kirby për Zërin e Amerikës.