VOAL

VOAL

Lajçak: Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë në pajtim më standardet evropiane

VOA

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të enjten se për Bashkimin Evropian çdo propozim për të drejtat e pakicave duhet të të jetë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albi Kurti, nga ku nesër do të shkojë edhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.

Vizita e zotit Lajçak në rajon është e para që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i nxitur ata të zbatojnë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe pajtimi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër, parasheh mes tjerash përmbushjen e të gjitha zotimeve të marra në bisedimet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Projekt statuti i këtij Asociacioni i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, nga zyrtarët evropianë u cilësua “një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme”.

Por projekt statuti u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Në vend të tij ai propozoi një model të frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Zoti Lajçak tha se për Bashkimin Evropian është e pranueshme “ajo që bazohet në normat dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane dhe këtë e kemi thënë që nga fillimi“.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme dhe pikërisht atë që po përpiqemi të bëjmë”, tha ai, duke paralajmëruar se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar këtë cështje.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve, ndërsa Prishtina akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, për shkak të qëndrimeve të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti shkroi në rrjetet sociale se gjatë takimit me zotin Lajçak ka nënvizuar nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim më të qartë të hapit të parë, të dytë dhe hapit të tretë. Pra ky ishte qëllimi, ne patëm një diskutim shumë intensiv, por të rëndësishëm e të dobishëm me kryeministrin (Albin) Kurti dhe këtë pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, ku do të takoj vendasit atje dhe dua të kuptoj nga dora e parë situatën. Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të përqendrohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha zoti Lajçak duke nënvizuar se mund të ketë vetëm normalizim ose konfrontim.

“Dhe patjetër duam që të përqendrohemi tek normalizimi, prandaj duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim, kjo nuk është në interesin e askujt”, tha zoti Lajçak.

Partitë politike të serbëve në veriun e Kosovës, refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin në zonë më 23 prill duke kushtëzuar kthimin në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian shprehu javën që shkoi shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të drejtojnë komunat në veri.

Ambasadori britanik: Është koha që Kosova ta prezantojë draft-statutin për Asociacionin

RFE/RL

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë të martën se ka ardhur koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, një dokument i tillë le të prezantohet duke u bazuar në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një javë më parë, si dhe të jetë në përputhje me kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Abbott e ka bërë këtë thirrje duke treguar se Kosovën e viziton këtë javë, i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Disa burime në Bruksel, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Osmani përkujton Luan Haradinajn: U vra nga forcat e regjimit gjenocidal serb

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 26 vjetorin e rënies së heroit Luan Haradinaj.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Luan Haradinaj, 26-vjet më parë e fitoi përjetësinë, duke i dalë zot atdheut, duke u flijuar për lirinë dhe Republikën.

“Më 6 maj të vitit 1997, Luani u vra nga forcat e regjimit gjenocidal serb, në rrugëtimin e tij të fundit për në Shqipëri. Rrugëtimi i tij u ndërpre, porse jo ëndrra e tij për idealin e brezave. Prandaj, Luani dhe liria ishin dhe janë një”.

Presidentja tha se Luani, së bashku me familjen, dëshmuan përkushtim, trimëri, guxim dhe kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

“Luani dhe të gjithë dëshmorët e Republikës i japin kuptim lirisë sonë, shtetit tonë dhe të ardhmes së brezave. I përjetshëm qoftë kujtimi për Luanin dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së”, tha Osmani në përkujtimin e saj për Luan Haradinajn. syri.net

Analistë shqiptarë e serbë kërkojnë marrëveshje politike për veriun e Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Bashkimi Evropian shprehu gjatë javës shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit në zonë të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian këto zgjedhje, ndonëse në pajtim me kuadrin ligjor e kushtetues të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Ata u bënë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe ta diskutojnë këtë çështje në kuadër të dialogut ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë më vonë gjatë këtij muaji.

Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se nuk është zgjidhje mbajtja e zgjedhjeve të reja pa një marrëveshje politike.

“Unë mendoj se gabimi është bërë në Ohër sepse mendoj se në Ohër ka qenë dashur kur është arritur pajtimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, pika e parë ka qenë dashur të jetë mbajtja e zgjedhjeve, kthimi i serbëve në institucionet në veri dhe pastaj të ndodh formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk e di pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe në një farë mënyre edhe në takimin e fundit (Josef) Borrell e konfirmoi se situata në veri nuk është e qëndrueshme dhe se këto zgjedhje nuk e zgjidhin situatën dhe nuk e nxjerrin nga kriza”, tha zoti Gogiç.

Ai thotë se tash për tash nuk sheh rrezik nga përshkallëzimi i situatës pasi sipas tij edhe Serbia edhe Kosova dëshirojnë të tregohen si palë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes.

Zoti Gogiç thotë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin në nxitjen e incidenteve dhe bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës, siç janë grupet që nuk janë nën kontroll as të Beogradit e as Prishtinës, hapja e urës së Ibrit dhe çështja e targave.

Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se zgjidhja e situatës aktuale në veriun e Kosovës është më e ndërlikuar për shkak se tashmë një proces zgjedhor është përfunduar.

“Nëse kthehet procesi në zero duhet të ketë një argumentim të mirë sepse prapë po shkohet në shkelje të procedurave, të ligjeve dhe po krijohen precedent të rrezikshëm dhe nëse rastësisht vendoset që këto zgjedhje të anulohen apo të kthehen në pikën zero duhet të ketë garanci për pjesëmarrje të partive politike serbe, të qytetarëve serb në zgjedhje dhe të shkojë procesi në bazë të rregullave që janë të parashikuara”, tha zoti Fetahu.

Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Politologu, Ognjen Gogiç, thotë se është gabim një kushtëzim i tillë dhe se me këtë Beogradi dëshiron që ta zgjasë dialogun sa më shumë.

“Prishtina nuk e do Asociacionin që do të kishte kompetenca ekzekutive që në fakt do të rivendoste rendin kushtetues të Kosovës dhe në anën tjetër unë mendoj që as Beogradi nuk e dëshiron Asociacionin dhe se Asociacioni së pari është taktikë, nuk është qëllim por taktikë që përdoret në bisedime dhe Beogradi në fakt Asociacionin e shfrytëzon si një mënyrë për të penguar negociatat. Pra Prishtina nuk e dëshiron Asociacionin e komunave serbe, jo një Asociacion ambicioz dhe më pas Beogradi me qëllim këmbëngul për të dhe ka rritur shtuar trysninë ndaj Prishtinës duke kërkuar një Asociacion të aillë që është i papranueshëm për Prishtinën”, tha zoti Gogiç.

Zoti Fetahu thotë ndërkaq se nuk ekzistojnë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në këtë kohë duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të të dyja palëve.

“Besoj që do të kemi një involvim direkt dhe substancial të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të shikohet për një modul apo zgjidhje të tretë të një draft statuti që do të përmbajë elementet e të gjitha palëve nga pak, apo një propozim i ri mund të vijë nga Bashkimi Evropian, gjë që nuk është neglizhuar në të kaluarën as nga pala amerikane dhe as evropiane, kur palët nuk arrijnë një dakordim është pala e tretë ndërmjetësuese të ofrojë një opsion”, tha zoti Fetahu.

Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi të martën projekt statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues të cilin e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se qartazi Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit.

Kadiu: Shkarkimi i ekipit menaxhues për Asociacionin nuk e shkel marrëveshjen Kosovë-Serbi

RFE/RL

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kadiu në një postim në Facebook të enjten ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra ekipin menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, shkroi Kadiu

Ai tutje tha se zëdhënësi Peter Stano duhet ta ketë “gatishmërinë e njëjtë, kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes’, duke përmendur votën kundër të Serbisë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ekipi menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shkroi ai.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano tha se roli i ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet.

Komisioni qeveritar: Serbia pranoi krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka mirёpritur nёnshkrimin e Deklaratës pёr personat e zhdukur të dakorduar të martën në Bruksel.

Me këtë marrëveshje, në komunikatën zyrtare të Komisionit, thuhet se Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës.

“Pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, periudhës kohore në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-023 për persona të zhdukur, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2011”, thuhet ndër të tjera.

Kjo është komunikata e plotë:

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur mirёpret nёnshkrimin e deklaratёs pёr personat e zhdukur

Prishtinë, 3 maj 2023

Me nënshkrimin e deklaratës pёr personat e zhdukur, pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovё. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se shkon përtej konceptit të personave të zhdukur, dhe në mënyrë eksplicite i referohet konceptit të zhdukjeve me forcë.

Veçojmë rëndësinë e dakordimit për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, periudhës kohore në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-023 për persona të zhdukur, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2011.

Nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit, në Serbi janë zhvarrosur mbi 950 shqiptarë. Megjithatë në këto varreza masive të zbuluara nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore. Andaj me këtë deklaratë Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës.

Deklarata thekson nevojën urgjente për përpjekje shtesë, për bashkëpunim dhe mosbllokim, për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve, të kësaj plage të hapur dhe ende të pashëruar për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.

Po ashtu, dakordimi për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive është me shumë rëndësi.

Kjo deklaratë po ashtu thekson inkurajimin për angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre. Ne mbesim të përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me forcë gjatë luftës dhe për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Deklarata e miratuar është hapi i parë që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe trysni nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur në Kosovë.

Mirëpresim dakordimin për detajet operacionale në takimin e radhës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Vlerë​sojmë zotimin për mbështetje dhe bashkëpunim nëpërmjet Komisionit të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Po ashtu, inkurajimin e bashkëpunimit me akterë tjerë relevantë, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Paraprakisht Qeveria ka inicuar aderimin e Republikës së Kosovës në këtë Komision (ICMP).

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe për ndriçimin e së vërtetës. syri.net

Ambasadori gjerman: Pres nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet

Prishtinë – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë në `Lajmet e Fundit` në RTK, tha se pret nga dy palët si Kosova ashtu edhe Serbia që të implementojnë marrëveshjet si për Asociacionin ashtu edhe për organizatat ndërkombëtare.

“Presim që dy palët të punojnë në mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, urgjenca është më madhe, kemi një luftë në Evropë. Kemi një pako dhe dy palët duhet të punojnë në mirëbesim”, theksoi ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë për RTK-në, ka folur edhe për zgjedhjet që janë mbajtur në veriun e Kosovës, që sipas tij nuk janë zgjidhje afatgjate. “Nuk mendoj se është fundi i tregimit, duhet të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.

Diplomati gjerman vlerësoi fillimin e procesit të dialogut të djeshëm, rreth implementimit të marrëveshjeve. “Ky është hap pozitiv, jemi shumë larg të natyrës së Asociacionit, Gjermania mbështet Kosovën”, tha ai.

Rohde: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë për RTK-në, ka thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështes implementimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, pro po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai për RTK.

Sipas tij politikanët duhet të punojnë të realizimin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet që të gjithë e duam, stabiliteti dhe paqja.

“Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit që të sjellë strukturat paralele, në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi ai.

Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.

Për intervistën e plotë që do të transmetohet sonte në ‘Lajmet e Fundit’ në RTK nga 22.30, ka shkruar në Twitter edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.

Gjykata Speciale nuk i komenton pretendimet se bastisi mbrëmë dy shtëpi në Kosovë

Gjykata Speciale nuk i ka komentuar pretendimet e disa mediave dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, se policë të EULEX-it me urdhër të Speciales, i kanë bastisur mbrëmë dy shtëpi në Prishtinë.

Nga Specialja kanë thënë shkurt për teve1.info se nuk i komentojnë çështjet operacionale.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. Gjithsesi Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi çështjet operacionale”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i ZPS-së.

Teksa nga EULEX-i kanë thënë se nuk kanë mandat për të kryer bastisje.

“EULEX-i nuk ka mandat për të kryer një bastisje. Ju lutemi drejtojini pyetjet tuaja Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka bërë të ditur se Gjykata Speciale mbrëmë ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

Sipas KLMDNj-së, nga Gjykata Speciale është bastisur shtëpia e Flamur Sopit dhe Nuhi Ahmetit, nga ora 19:00 e deri në mesnatë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë.  Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhërin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30.”, është bërë e ditur në komunikatë. syri.net

Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit

RFE/RL

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq.

Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.

Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim “të njëanshëm” dhe “të kundërligjshëm”.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në vend të tij, ai propozoi një “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se është “shumë i shqetësuar”, sepse është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë” për formimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Kosova është nën trysninë e ndërkombëtarëve për ta formuar Asociacionin.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike, ky mekanizëm përfshihet edhe në një marrëveshje të re që kanë arritur Kosova dhe Serbia, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit.

‘Statuti i Asociacionit në Kushtetuese’, opozita dhe analistët i kërkojnë Kurtit të mos nxitohet

Opozita dhe nje pjese e opinionit publik në Kosovë i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti të mos nxitohet për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit Kurti–Vuccicc në Bruksel ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, ata i kërkojne kryeministrit të Kosovës të mos bëjë gabime në hapat që do të hedhë.

Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, ndaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, për sa kohë Serbia po e shkel vazhdimisht atë.

“Do të diskutohet për Asociacionin, por besoj se do të ketë diskutime më të mëdha për vet implementimin e marrëveshjes sepse ende ka çështje të hapura. Senkuencimi i pikave të marrëveshjes, qëllimi është që të ketë një zbatim të njëkohshëm të saj, në mënyrë që mos të ngutet Kosova në zbatimin e disa pikave dhe të kemi një situatë që Serbia nuk e implementon marrëveshjen, ndërsa Kosova e zbaton atë”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron për KosovaPress, se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese… Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Selmani.

Por shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian… Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet”, tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel. Sipas axhendes se publikuar nga Bashkimi Evropian, fillimisht do të nenshkruhet deklarata për personat e pagjetur, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

KFOR: Rihapja e urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut politik

Misioni i KFOR-it ka reaguar rreth vendimit për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.

Nga KFOR kanë thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i.

Nga ky mision po ashtu kanë theksuar se “do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara”.

 

Gjatë ditës së djeshme asamblistët e Mitrovicës Veriore kanë votuar për hapjen e qarkullimit të automjeteve në urën qendrore mbi lumin Ibër, e cila prej pas lufte është mbyllur nga serbët.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka vendosur që ura qendrore e lumit Ibër, të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Teksa ky vendim ka ngjallur reagime në Serbi, gjatë ditës së djeshme kanë folur edhe nga BE-ja.
Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani nuk është koha e duhur për ta ndërmarrë këtë veprim.

Në një adresim të tijin nga Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Kurti, Laçak dërgoi mesazhe parandaluese.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, kjo mund të përbëjë një tjetër krizë në vend, derisa shtoi se vitin e kaluar në vazhdimësi Bashkimi Evropian është marrë me menaxhim krizash.

Lajçak ka shtuar se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.bw

Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut kërkon hapjen e urës mbi Ibër

RFE/RL

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me propozimin e Aida Ferati-Dolit, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë prononcuar për këtë vendim të autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut.

Mitrovica e Veriut është një nga katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq. Më 28 prill ai votoi kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.

Reagimet e Listës Serbe dhe Beogradit

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dënoi vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut dhe e konsideroi atë si “si të paligjshëm”.

Nga kjo parti theksuan se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës. Ura, ku kanë ndodhur më shumë se 1.000 sulme me motive etnike nga jugu në veri, është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës është që dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh”, thuhet në reagimin e kësaj partie që ka mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe tha se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti, sot pa dyshim ka treguar se dëshiron dhe ëndërron luftë, dhe do që i gjithë veriu i Kosovës të hyjë në konflikt”.

“Për këtë ai përdor përfaqësuesit dhe asmblistët jolegjitimë në veri të Kosovës dhe Metohisë. Për këtë vendim votuan 11 asamblistë nga Prishtina, një abstenoi dhe një ishte kundër”, thuhet në njoftim.

Drejtori i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, tha se ka njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe ndërmjetësin e dialogut, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se ai pret nga ta që ta “qetësojnë Kurtin”.

Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.

Vuçiq nuk dha asnjë provë për këto pretendime.

Presidenti serb tha se ura mbi lumin Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – paraqet “një digë dhe mbrojtëse të interesave të popullit tonë në veri të Kosovës dhe Metohisë”.

Serbia nuk e jeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron pjesë të territorit të saj.

Vuçiq theksoi se me vendimin për hapjen e urës, shqiptarët “duan të marrin” edhe Mitrovicën e Veriut.

“Kjo është ideja e tyre e kamotshme, që për vite me radhë populli ynë e ka kundërshtuar”, tha ai.

Vuçiq theksoi se Kurti do ta justifikojë këtë vendim duke thënë se “nuk do geto në Mitrovicë, por qytete të hapura” dhe se “për këtë do t’ia hedh lehtë para përfaqësuesve perëndimorë”.

Sipas presidentit serb, shteti i tij “do të bëjë gjithçka” që të ruhet paqja.

“Por, ne po ashtu po ju themi atyre para takimit në Bruksel më 2 maj dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj: as mos ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët në çdo pjesë të Kosovës dhe Metohisë, sepse në atë rast ne do të dimë se çfarë duhet të bëjmë”.

Në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 2 maj në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian. Zyrtarët evropianë kanë konfirmuar se në këtë takim pritet të miratohet Deklarata për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përurohet librit “Shoh”, përjetime personale të viteve 1998- 1999 Nga Iliriana Pylla, Prishtinë

“Në shtëpi gjeta familjarët e mi. Më rrëfyen për atë se çfarë gjetën dhe panë në shtëpinë tonë kur arritën. Me të hyrë në shtëpi kishin gjetur uniforma të ndryshme policore e ushtarake, armë dhe municione, veshmbathje të pëgjakura të femrave. Mobileria e shtëpisë ishte vjedhur dhe pothuajse nuk kishte asgjë, po ashtu edhe gjësendet tjera”, thuhet në rrëfimin e njërit prej protagonistëve të librit ”Shoh” i cili u përurua në Prishtinë në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, realizuar nga OJQ ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’.

Libri “Shoh”, përmban tregime jete të njerëzve, përjetime personale të cilat fillojnë diku në vitin 1998 /1999, në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë. Brenda faqeve të librit lexuesi gjen detaje të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta, gjatë e pas saj.

Redaktorja e librit, Emine Ismajli ka thënë se njerëzit thonë se tregimi secilit prej tyre është më i rëndë e më i tmerrshëm se i dikujt në librin tuaj, por nuk jemi ne ata që e vendosim se çka duhet të tregojmë.

“Edhe ngjarjet e gëzueshme në jetë është e vështirë të ndahen me tjetrin nëse nuk je i gatshëm që ta hapësh shpirtin, se lëre më kur janë në pyetje tmerret e traumat. Është libri i tretë që botohet në tri gjuhë, atë shqipe angleze dhe serbokroate. E kemi të parin “ Mbamendja e shpirtit, i dyti” Dheu i ofshamës” dhe libri i tretë “Shoh”. Shumë herë e kam mendu punën e titullit mirëpo prej fillimit më është imponuar ky titull. Vështirësia tjetër ka qenë kur është dashur të punohet kopertina e librit ngase kisha përshtypjen se asnjë kopertinë nuk shpjegon se çka përmban libri. Po shpresoj se tash ka shumë detaje në kopertinë dhe flasin për secilin tregim veç e veç. Secili kthehet prapa në kohë dhe flet për veten. Rastësisht ky grup ka pasur njerëz që kanë qenë fëmijë në atë kohë. Mirëpo e kanë një kujtesë shumë më të mirë dhe përmes tregimeve të tyre mund të shohim edhe detaje që ndoshta një të rrituri i kishin kaluar pa i pa”, ka thënë Ismajli.

Redaktorja Ismajli ka shtuar: “Krijohet përshtypja sikur nëpër korridoret e kohës takohen njerëz e fate, paraardhës e pasardhës, trashëgimtar e trashëgimi, që janë pjesë e tregimeve ku shtjellohet e përjetuara e ndërthurur me ngjarje historike të kohërave të ndryshme, të cilat fillojnë diku në vitin 1998-1999, në kohën ku ndodhi lufta në Kosovë duke na informuar në mënyrë më të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta.”, ka thënë mes tjerash Ismajli.

Ndërsa, Nexhat Ismajli ka treguar se janë disa autorë që e kanë realizuar këtë libër. Gjatë trajnimeve janë ndarë tregimet e përjetimet e tyre të dhimbshme dhe pastaj kanë gjetur vullnetin kurajon që edhe ti dokumentojnë ato tregime dhe ti prezantojnë për publikun.

“Janë tregime të qytetarëve të Kosovës, tema shumë e dhimbshme për shoqërinë tone, por si proces dokumentimin e konsiderojmë si një process jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm”, është shprehur drejtori I OJQ-së, ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’., Nexhat Ismajli.

“Që nga viti 2014, ANP punon intensivisht në projektin ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ dhe deri më tani kemi realizuar shumë aktivitete e filma dokumentarë. Të gjitha këto me të vetmin qëllim, që të dokumentojmë të kaluarën në mënyrën më të sinqertë dhe të luftojmë narrativat etnocentrike në shoqërinë tonë”, ka thënë Ismajli.

Duhet theksuar se pjesëmarrës në aktivitete dhe tregime kanë qenë përfaqësues të disa komuniteteve në Kosovë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.

U shfaq edhe një film dokumentar realizuar nga Burim Baftiu, rreth përmbajtjes së projektit.

 

Iliriana Pylla
Prishtinë

Kosova ndërmerr aderimin në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur

Skulptura “Më gjej” e krijuar nga Eroll Murati, dedikuar personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prishtinë, nëntor 2021.

RFE/RL

Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj që mundëson nisjen e procedurave për anëtarësimin e Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), me seli në Hagë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 26 prill tha se aderimi në këtë komision do të rrisë mundësitë e bashkëpunimit rajonal për procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Kosovës, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë më 1998/99.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ICMP-ja ka qenë e angazhuar në Kosovë që nga vitet e para të pasluftës.

“Kosova, me aderimin në këtë komision, zgjeron rrjetin e organizatave ndërkombëtare në të cilat është anëtare dhe konsolidon subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar, vepron në bazë të konkluzave të aprovuara në samitin e Londrës më 2018 për Ballkanin Perëndimor, ku është përkrahur prioritizimi i çështjes së personave të zhdukur”, tha ai.

“Prandaj, aderimi i Kosovës në këtë organizatë do t’i jepte shtysë zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, shtoi Bislimi.

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur është organizatë ndërkombëtare, por nuk është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara.

Mandati i këtij komisioni është që të ofrojë bashkëpunimin e qeverive dhe autoriteteve të tjera me synim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur – kryesisht shqiptarë.

Përmbyllet i gjithë procesi i liberalizimit të vizave

RFE/RL

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua të martën në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Me këtë veprim përmbyllet edhe formalisht i gjithë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Vendimi i botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së është ai që u nënshkrua më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Në vendim shkruan se “përjashtimi nga nevoja për viza”, pra liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS, apo deri më 1 janar, 2024.

Kjo do të thotë se, nëse funksionalizimi i ETIAS-it shtyhet përtej 1 janarit, 2024 – gjë që edhe pritet të ndodhë – hyrja në fuqi e liberalizimit nuk do të shtyhet përtej asaj date.

ETIAS do të mundësojë verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta – që nuk nevojë për vizë – përpara se të hyjnë në zonën Schengen.

Libralizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Komisioni Evropian ka sqaruar tashmë se edhe pas liberalizimit të vizave, bartësit e pasaportave të Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë – vend që nuk e njeh as pavarësinë e Kosovës, as pasaportat e saj.

Edhe pse vendimi për liberalizim vlen për të gjitha vendet e Schengenit, njohja e pasaportave është kompetencë e vendeve anëtare – në këtë rast Spanjës.

Komisioni Evropian ka sqaruar, po ashtu, se liberalizimi i vizave vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe.

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin ende lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.

Cilat janë shtetet që votuan kundër kërkesës së anëtarësimit të Kosovës në KiE

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, miratoi të hënën kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

33 shtete votuan pro për kërkesën e Kosovës të depozituar rreth një vit më parë.

Ndërkohë që Greqia, Sllovakia,Ukraina, Moldavia dhe Bosnjë Hercegovina abstenuan.

Armenia nuk mori pjese ne votim

Sakaq që Serbia , Azerbajxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Spanja, Rumania votuan kundër.

Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun (Kosovë – Serbi) e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe njoftimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedh kërkesën për votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare. Nëse kërkesa mbështetet nga dy të tretat e vendeve anëtare atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e organizatës. Debatet për këtë çështja mund të shtohen në njërën nga seancat e radhës të Asamblesë Parlamentare, në muajin qershor apo muajin tetor të këtij viti.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, falënderoi aleatët që votuan në mbështetje të Kosovës ”por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut” shkruan ajo. Ndërsa në një tjetër reagim Osmani tha se në më pak se 24-orë Serbia ka bërë dy shkelje të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit:

Ndërhyrja e huaj në zgjedhje (në kundërshtim me nenin 2).
Lobimi dhe votimi kundër aplikimit të KiE (në kundërshtim me nenin 4)

Marrëveshja e re, por e njëjta Serbi e vjetër.syri.net

Intervistë e studentes Nurije Zekaj tek Bota e Re, pak ditë përpara aksidentit që i mori jetën organizuar nga UDB-ja

Voal.ch po i sjell lexuesit një material të huazuar nga Pashtriku.org, 23. 04. 2015 –

(Intervistë me Nurie Zekajn, botuar në gazetën studentore “Bota e re” – prill 1990) – Të rinjtë e Pejës kohëve të fundit u dalluan për iniciativa të shumta. Në këtë qytet u formuan shumë këshilla. Ndër ta sidomos shquhet ai për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave, aksioni humanitar i të cilit po përhapet në tërë Kosovën. Në këtë Këshill të prirë nga studentë dhe të ndihmuar nga intelektualët më eminentë kosovarë, marrin pjesë edhe shumë femra. Për këtë Këshill dhe aksionin e tij bisedojmë me të renë Nurie Zekajn, studente e Pedagogjisë. (Nurije Zekaj humbi jetën më 23 prill 1900 në një aksident të organizuar nga UDB-ja – shënim i Voal.ch)

BOTA E RE: Si filloi nisma për formimin e Këshillit për pajtimin e gjaqeve dhe të ngatërresave?
NURIE ZEKAJ:
Më duket se këtë këshill dhe këtë aksion (masovik) për faljen e gjaqeve dhe të ngatërresave e lindi koha. E filluam ne në Pejë, ndërsa u përhap me të shpejtë ndër vende të shumta dhe në mënyra të ndryshme. Kur them kështu, kam parasysh se kemi raste kur gjaqet falen, pos në oda, edhe në “Lëndina të pajtimit” në prezencën e mijëra vetave. Kjo do të thotë se faljen e gjaqeve e bëri vetëdija e njerëzve e prirë nga ky Këshill.

Nurie Zekaj (ulur-e para nga e djathta)  me bashkëveprimtaret në krye me Anton Ҫetën. 

==================================

BOTE E RE: Në Këshillin iniciues të Pejës, por edhe në aksionet e tij, marrin pjesë shumë femra, çfarë është kontributi i tyre?
NURIE ZEKAJ:
Dihet se në kushtet patriarkale të familjeve tona (në të cilat edhe janë këto gjaqe), mashkulli si faktor kryesor dhe dominant, me kokëfortësi dhe primitivizëm lekian i ka marrë të gjitha gjërat mbi vete. Si pasojë e kësaj, përgjithësisht krimet (gjaqet) i kanë shkaktuar meshkujt, ndërsa këto i kanë përjetuar edhe femrat. Po ashtu edhe në pajtim (nëse është bërë ky) burrat janë marrë ngrykë, ndërsa këtë pajtim të shumtën e rasteve e kanë përgaditur (prapa skene) femrat. Kush mund ta ndjej më shumë (rrezikun) se e ndien nëna për djalin, motra për vëllanë, nusja e re për burrin? Prandaj nga kjo mund të konstatojmë se roli i femrës në pajtimin e gjaqeve ka qenë dominant, e sot ky rol vetëm është legalizuar, që përkrah burrave e mban kuvendin e pajtimit edhe ajo.
BOTA E RE: Keni marrë pjesë në shumë kuvende të pajtimit, çka i karakterizon ato?
NURIE ZEKAJ:
Mund të flas vetëm për disa sish në odat e Rrafshit të Dukagjinit, ku kam marrë pjesë. Por, e njëjta atmosferë besoj se ndodh në tërë odat tona. Dihet se nuk iu është dhënë odave tona vetëm për ilustrim epiteti i universitetit, ky është atribut real i tyre. Kuvendi i pajtimit në odat tona është një teatër i gjallë, teatër në të cilin mund të shfaqet vetëm njëherë e kurrë më të reprizohet e të përshkruhet. Çdo kuvendim i pajtimit është një dialog-komunikim i përsosur. Në këtë komunikim intelektual gjen shprehje urtësia e plakut dhe zotësia e plakut dhe zotësia e profesorëve dhe intelektualëve në krye me Anton Çettën. Në këtë dramë çdo pjesëmarrës është aktor real, i cili mishërohet me përjetimin e aktit të pajtimit. Gjithë këtë dramë të përjetësisë, për 6-7 orë të kohës reale sa zgjatë ajo, e shquan fjala e matur me peshën e mençurisë. Fjalë pas fjale vjen deri te një fenomen që mund ta hetojë më së miri poeti (Azem Shkreli) “Njeriu ngrihet si bima, rritet bindshëm nga toka, shtrin dorën e pajtimit”.
BOTA E RE: Çka i shtyn njerëzit të pajtohen si kurrë më parë?
NURIE ZEKAJ:
Qasja e sinqertë e të rinjve ndaj këtij problemi. Në një moment të caktuar historik ngrihet vetëdija e njerëzve për pajtim. Mençuria e profesorëve tanë për të kërkuar gjakun në emër të asaj që njerëzit i bën faqebardhë. Motivim për faljen e gjakut janë edhe shumë shembuj burrërie gjatë historisë, por edhe shembujt e këtij aksioni. Të gjitha këto kur të gërshetohen në kuvend, me mençurinë e profesorit Anton, bëjnë që të pajtohen me qindra gjaqe dhe ngatërresa. Besoj se do të vijë së shpejti momenti që të falen të gjitha këto.
BOTA E RE: Thuhet se gjakmarrja është ves i përvetësuar prej të tjerëve?
NURIE ZEKAJ:
Vetë fakti se krahas gjakmarrjes gjatë historisë ka ekzistuar edhe pajtimi si kundërvënie e saj, flet se gjakmarrja është element i huaj. Besoj se populli nga i cili na është imponuar gjakmarrja nuk e ka njohur pajtimin dhe institucionin e besës. Me këto dy elemente populli ynë këtë fenomen të shëmtuar e ka institucionalizuar. Se kjo zymtësi nuk është e jona, dëshmon edhe e dhëna se disa herë është bërë masovikisht falja e gjaqeve. Kjo është bërë në raste vendimtare për popullin tonë gjatë historisë. E popujt gjatë këtyre momenteve gjithmonë flakin elementet e huaja. Ky element i huaj si dhe gjakmarrja si kompleksitet nuk është studiuar sa duhet, prandaj kësaj problematike duhet t`i qasemi në mënyrë studioze. Por kjo mund të bëhet vetëm pasi të tejkalohet si realitet. Po ashtu është e udhës që puna rreth faljes së gjaqeve të përmblidhet brenda kopertinave, të nxirret një libër si dëshmi e një brezi dhe një kohe për brezat dhe kohët që do të vijnë.
BOTA E RE: Për fund?
NURIE ZEKAJ:
Sa më shpejt të falen të gjitha gjaqet e ngatërresat dhe – mos u bëfshim kurrë më…!
Intervistën e zhvilloi: Sadik Krasniqi
***
Shënim:
Këtë bisedë me Nurie Zekajn e bëmë në kohën kur kjo e re ishte në vlugun më të madh të punës në aksionin për pajtimin e gjaqeve. Askujt nuk i ka shkuar ndër mend që këtë intervistë të shkurtër e modeste, në krahasim me punën e saj, do ta shoqërojë ky shënim me të cilin do të kumtonim vdekjen e saj më 23 prill 1990. Në këtë aksion Nuria punoi gjer në frymën e fundit. Me vdekjen e kësaj të reje aksioni në përfundim e sipër humbi një pajtimtare, Anton Çetta një bashkëveprimtare, ndërsa shokët një shoqe të mirë. Ta përfundojmë shkrimin me një maksimë të saj për aksion dhe jetë:
“Sa më pak fjalë – punë më shumë”.

Etapën e parë e kaloi, por çfarë përfiton Kosova nga anëtarësimi në KiE

Pas lajmit për liberalizim të vizave, Kosovës i erdhi një tjetër lajm i mirë nga Strasburgu.

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës e çoi përpara në Asamblenë Parlamentare, aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ky proces që nisi në maj të vitit të kaluar, kur ministrja e Jashtme Donika Gërvalla dorëzoi aplikimin, mund të finalizohet shpejt.

Por çfarë përfiton Kosova pasi të anëtarësohet në KiE?

Me 2/3 të votave për, Këshilli Ministror mori vendim që aplikimi i Republikës së Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës të shkojë tutje, etapë kjo që u konsiderua historike për vendin.

Nga 46 shtete anëtare, 33 prej tyre i thanë “po” Kosovës në KiE.

Fati i Kosovës tash është në duart e Asamblesë së Përgjithshme, e cila cakton kushtet përmes të cilave shtetet mund të anëtarësohen në Këshillin e Evropës, nëpërmjet të drejtës së vetos.

Pak fjalë për Këshillin e Evropës

Këshilli i Evropës është organizata kryesore e të drejtave të njeriut në kontinent, e themeluar në vitin 1949, me seli në Strasburg të Francës.

Ajo përfshin 46 shtete anëtare, 27 prej të cilave janë pjesë e Bashkimit Evropian.

Këshilli i Evropës avokon për lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e tubimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave.

Duke qenë një organizatë ndërkombëtare, KiE nuk mund të bëjë ligje, por ka aftësinë për të nxitur zbatimin e marrëveshjeve të përzgjedhura ndërkombëtare të arritura nga shtetet anëtare, e që prekin tema të ndryshme.

Dy organet statutore të këshillit janë Komiteti i Ministrave, i cili përbëhet nga ministrat e jashtëm të çdo shteti anëtar, dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE), e cila përbëhet nga anëtarë të parlamenteve kombëtare të çdo shteti anëtar.

Çka përfiton Kosova pas anëtarësimit në Këshill të Evropës

Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, një traktat i krijuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit.

Çdo vend që i bashkohet Këshillit të Evropës pranon t’i nënshtrohet mekanizmave të pavarur monitorues që vlerësojnë përputhjen e atij shteti me të drejtat e njeriut dhe praktikat demokratike. Me t’u bërë pjesë e KiE-së, edhe Kosova, pas nënshkrimit të këtij traktati, do të ndihmohet në luftimin e këtyre kauzave.

KiE promovon të drejtat e njeriut përmes konventave ndërkombëtare, si Konventa për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje dhe Konventa për Krimin Kibernetik. Si e tillë, KiE monitoron progresin e shteteve anëtare në këto fusha dhe bën rekomandime përmes organeve të pavarura monitoruese të ekspertëve.

Për më tepër, Këshilli i Evropës u ndihmon shteteve anëtare edhe në luftim të korrupsionit dhe terrorizmit, si dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme gjyqësore. Në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, korrupsioni qeveritar ishte një prej kritikave bazë që iu dha Kosovës, dhe të njëjtit shtruan nevojën për luftimin e tij.

Me aspiratat e Republikës së Kosovës drejt strukturave evropiane, pranimi në Këshillin e Evropës është një hap domethënës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian. Asnjë shtet nuk mund të pranohet në BE, pa u pranuar në KiE fillimisht.

Vendimi historik për Kosovën, kush e përkrahu e kush e kundërshtoi

24 prilli i 2023-ës, tashmë shënon etapën e parë të një procesi të rëndësishëm për Republikën e Kosovës.

Në një njoftim të Këshillit të Evropës thuhet se vendimi i sotëm për Kosovën u bazua në marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit, të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t’i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Shtatë shtete votuan kundër anëtarësimit të Kosovës: Spanja, Rumania, Qipro, Gjeorgjia, Azerbajxhani, Serbia, dhe Hungaria si surpriza më e madhe duke konsideruar faktin se kjo e fundit e njeh pavarësinë e Kosovës.

Greqia, Sllovakia, Ukraina e Bosnja abstenuan, ndërsa Armenia nuk votoi fare. syri.net

Kurti: 30% e të rinjve të moshës prej 15 deri në 24 vjeç s’janë në punë, shkollë e as në fakultet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë dhe ishte folës kryesor në ngjarjen e organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve me përfitues nga komunitetet joshumicë të programit “Kosova Generation Unlimited”, praktikë me pagesë.

Kurti tha se ne e dimë se ka një numër të madh të të rinjve, që përveç se nuk janë në punë, nuk janë as në shkollë e as në fakultet, e as në ndonjë trajnim, njofton Zyra për Informim në Kryeministri.

Sipas Kurtit, 30% e të rinjve të moshës prej 15 deri në 24 vjeç janë në një gjendje të tillë. Kurse, në disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë, përqindja e të rinjve pa punë, arsim apo trajnim është edhe më e lartë sesa kaq.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara Shefe e UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman,

E nderuara Zëvendëskryeministre, znj. Emilija Rexhepi,

Të nderuar Ministra Murati dhe Rashiq,

Të nderuar përfaqësues të bizneseve dhe të organizatave joqeveritare,

Të dashur praktikantë të rinj,

Zonja dhe zotërinj,

Me ardhjen tonë në qeverisje, filluam t’i realizojmë premtimet tona, atë se do të kemi punësim dhe drejtësi, si dy prioritete dhe, se këto do të jenë për të gjithë.

Me këtë iniciativë të K-GenU – Kosova Generation Unlimited, jemi më afër përmbushjes së zotimit tonë. Dhe ju këtu, po përfitoni nga kjo mundësi që edhe ta mbani praktikën, por njëkohësisht edhe të paguheni. Më lejoni që të uroj dhe njëkohësisht ta falënderoj ekipin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, UNICEF-in, si dhe të gjitha bizneset që janë anëtare të rrjetit CSR për lansimin e kësaj nisme.

Ne e dimë se sa ka pasur Kosova vazhdimisht probleme me papunësi dhe gjithashtu e ka pasur popullatën më të re në vazhdimësi në Evropë, andaj jemi edhe krenarë që jemi me ju sot e ju kemi juve ngahera, po njëkohësisht edhe për potencialin tuaj jemi shumë optimist.

Megjithëkëtë, ne e dimë se ka një numër të madh të të rinjve që përveç se nuk janë në punë, nuk janë as në shkollë e as në fakultet, e as në ndonjë trajnim. 30% e të rinjve të moshës prej 15 deri në 24 vjeç janë në një gjendje të tillë. Kurse, në disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë, përqindja e të rinjve pa punë, arsim apo trajnim është edhe më e lartë sesa kaq.

Për këtë, Qeveria ka krijuar Ekipin Ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, dhe kemi alokuar buxhet për bursa, për 500 studentë në shkolla të mesme si dhe në universitet publike. Gjithashtu, javën që lamë pas kemi njoftuar qytetarët për një pako të re mbështetëse prej 3 milionë eurove, përfitues të të cilit do të jenë të gjitha komunitetet joshumicë në Kosovë. Kjo pako do të fokusohet në krijimin e vendeve të reja të punës në biznese ekzistuese, por edhe në ato të reja, si dhe për bujqit dhe prodhuesit e vegjël në vendet rurale.

Me K-GenU po dëshmohet se ka dëshirë te të rinjtë për punësim dhe aftësim profesional, dhe se ka interes edhe nga bizneset e organizatat partnere për të përfituar nga energjia, pikëpamjet, dija e pasionet e reja që i kanë këta praktikantë të rinj.

Deri sot, nga lansimi i përbashkët i programit K-GenU kemi mbi 600 të rinj përfitues dhe 500 biznese të regjistruara.

Këtë gatishmëri mund ta shohim sot në këtë sallë nga praktikantët prej komuniteteve joshumicë, nga kompanitë e mediave, të fotografisë, dizajnit grafik, të biznesit për prodhimin e frutave ‘goji’ dhe klinike private, si dhe nga OJQ-të për aktivitete kulturore, të avokimit dhe të vullnetarizmit për të rinjtë. E di që keni ardhur nga Peja, nga Prizreni, nga Parteshi, Graçanica e Gjakova e ndoshta edhe më larg. Por, që të gjithë juve, secilit e secilës prej juve urime për këtë nismë të re dhe për këtë punë te re.

Krahas kësaj nisme, Qeveria ka lansuar edhe platformën Superpuna, e cila ofron mundësi punësimi për të rinjtë e moshës prej 18 deri 25 vjeç. Për vetëm 2 muaj, kemi mbi 4.700 pozita të lira pune, mbi 6.400 punëkërkues të verifikuar, mbi 3.700 biznese të regjistruara, e mbi 2.000 marrëdhënie pune. Andaj, ju ftojmë që ta shfrytëzoni edhe këtë mundësi, të regjistroheni e ta gjeni një vend pune me pagë të garantuar nga shteti. Nga praktika në K-GenU, në punësim me Superpuna.

Duhet t’ju tregojmë të gjithë të rinjve për këto mundësi, në mënyrë që të kemi sa më shumë të regjistruar në këto dy platforma, e veçanërisht në K-GenU, që gjithashtu ata të bëhen pjesë e punës praktike me pagesë. Shpresoj që sidomos përmes jush kjo nismë të arrijë edhe te të tjerët, që të kuptohet se Kosova është vend i mundësive për të rinjtë, për komunitetet joshumicë, për të gjithë.

Nenad Rashiq: Zgjedhjet në veri janë legale, me 2 maj diskutohet draft-statuti i Asociacionit

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq tha se mospjesëmarrja e serbëve të veriut në zgjedhje, është tregues i qartë se interesat e komunitetit serb po përdoren si mjet për beteja politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve të cilat kaluan pa ndonjë incident, duke i quajtur ato legale.

Por ministri ka adresuar një dreson kritika në drejtim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, për presion e vazhdueshëm ndaj serbëve.

“Së pari jam shumë i kënaqur se ka kaluar pa incidente pa kurrfarë konflikti, ka kaluar në ambient të qetë dhe unë jam i kënaqur edhe pse nuk konsideroj me këto rrethana që zgjedhjet kanë qenë një zgjidhje perfektë, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ligjet përcaktojnë se sa kemi afat për mbajtjen e zgjedhjeve. Unë e respektoj këtë element sepse në duhet të respektojmë ligjet. Për fat të keq e kemi parë edhe një herë që ndikimi i cili është zakonisht i vrazhde i cili në këtë aspekt partia politike e cila përfaqëson presidentin Vuçiq nuk hezitoi të bëjë gjithçka që është e mundur që të mbesin në pushtet”.

“Kjo është edhe një dëshmi e prolongimit ose vazhdimit te një udhëheqje e cila nuk është për interesat e komunitetit serb qoftë të jugut ose veriut, por i ka interesat ku serbët e Kosovës po përdoren si mjet, si një mjet i përkohshëm në vazhdim të betejës politike e cila do të vazhdojë edhe me 2 maj nëse mbahet ai takim që është planifikuar në Bruksel”, tha ai.

Rashiq tha se serbët nuk kanë përfaqshim të duhur në dialogun e Brukselit. Sipas tij, në takimin e dy majit do të bisedohet për propozimin e draft-statutit të Asociacionit.

“Në takimin e radhës më dy maj unë pres që pala kosovare do të jetë të them inovative dhe komstruktive. Edhe vetë Kurti ka treguar në takimin e fundit në Ohër. Konsideroj që është arritur një marrëveshje sipas meje është e mirë sepse ka një logjik të moskonflikti, i cili për serbët e Kosovës është me i vlefshëm”.

“Detajet nuk janë në këtë moment të sqaruara por e di që me dy maj nga ana e Kosovës ne do të përpiqemi që të bëjmë disa propozime të reja, propozime që janë të pjekura dhe kisha thënë të harmonizuar. Unë nuk do të jem aty, por me siguri do të bisedohet për propozime”.

Ndërsa të rrezikshme e ka quajtur deklaratën e Milan Rajdoçiqit, i cili ka thënë se nuk do t’i lejojë komunat veriore të udhëhiqen nga shqiptarët.

Ai tha se në zgjedhjet e djeshme legaliteti është arritur por legjitimiteti do të ketë gjithmonë sfida.

“Kjo deklaratë është e rrezikshme dhe unë lus nëse mund të dëgjoja ata që bëjnë deklarata të tilla, i lus që të përmbahen nga deklarata që në mënyrë direkte ose indirekte potencojnë që mund të ketë një pengesë të marrjes së pushtetit. Prapë e di që ndoshta kjo është jo e fjalëve, në këtë rast ndoshta mund të thoni që nuk ka legjitimitet por megjithatë aty ka legalitet. Ose më mirë me fjalë të shkurta edhe pesë njerëz të dalin në zgjedhje llogaritet se ai që merr 5 i fiton zgjedhjet”, u shpreh Rashiq, teksa pati kritika edhe për Listën Serbe, raporton EO.

“Legalitet në këtë rast është arritur, legjitimitet në këtë rast gjithmonë do të jetë sfidë. Sikur unë mund të them që Lista serbe kurrë nuk ka pasur legjitimitet, sepse çdo fushatë çdo proces të zgjedhjeve i ka bërë më dhunë, dhe mos ta harrojmë që dy kandidatë për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut e kanë humbur jetën për shkak të bindjeve të tyre politike. Ata janë më së paku që mund të kërkojnë legjitimitet”, u shpreh Rashiq. syri.net

Sfidat e kryetarëve të rinj në veri

Bekim Bislimi, Arton Konushevci

Katër kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të Kosovës e pranojnë se do ta kenë të vështirë qasjen në zyrat e tyre të reja, pasi shumica gjenden në objektet e strukturave paralele komunale serbe.

Ata thonë se janë të vetëdijshëm për sfidat, por presin ndihmën nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë nisjen e punës së tyre.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe politologu serb, Ognjen Gogiq, thonë se pengesat e para me të cilat do të ballafaqohen këta kryetarë të zgjedhur, do të jenë qasja në objektet komunale, dhënia e betimit solemn dhe ushtrimi efektiv i mandatit.

Në zgjedhje e jashtëzakonshme të 23 prillit për kryetar të këtyre komunave të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kanë garuar nëntë shqiptarë dhe një kandidate nga komuniteti serb.

Sipas rezultateve preliminare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, kanë fituar në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht në Leposaviq. Ndërkaq, kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, kanë fituar në Zubin Potok, përkatësisht në Zveçan.

 

Në zgjedhjet e 23 prillit, në të katër komunat, kanë votuar 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind e trupit votues prej 45.095 qytetarëve me të drejtë vote.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka refuzuar pjesëmarrjen në këto zgjedhje, ndërkaq pjesëtarët e komunitetit serb në komunat veriore të vendit nuk i janë përgjigjur thirrjeve të autoriteteve të Prishtinës për të dalë në votime.

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, të dielën, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.

Objektet komunale dhe betimi i kryetarëve

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetarët e zgjedhur më 23 prill, janë legalë, por nuk kanë legjitimitet praktik dhe përfaqësues, për shkak se nuk kanë marrë vota nga komuniteti serb, i cili është shumicë në katër komunat në veri të vendit.

Sipas tij, problemi i parë me të cilin do të ballafaqohen kryetarët e rinj, do të jetë qasja fizike në objektet e komunave, në shumicën e të cilave janë të vendosura edhe strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

“Afati 30 ditor, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, është relativisht i shkurtër. Në rast se nuk gjendet ndonjë modalitet kreativ, unë besoj që do ta ketë tejet të vështirë secili nga katër kryetarët e rinj që në objektin komunal, përkatësisht në kuvendet komunale, të arrijnë të japin betimin. Pra, është tejet e vështirë – për të mos thënë e pamundur – që këta kryetarë të arrijnë që këtë vullnet qytetar, të komunitetit shqiptar në këto komuna, në praktikë, ta materializojnë dhe ta jetësojnë në praktikë, duke funksionalizuar institucione dhe duke dhënë shërbime”, thotë Cakolli.

Ai shton se edhe nëse kryetarët japin betimin, ky do të jetë një formalitet, i cili në praktikë nuk do të ketë fare efekt.

Mendim të ngjashëm ka edhe politologu Ognjen Gogiq. Ai vlerëson se sfidë e madhe do të jetë kompletimi i asambleve komunale, para të cilave kryetarët, ligjërisht, duhet ta bëjnë betimin.

Në rast se cilido kryetar i zgjedhur nuk arrin ta kryejë këtë procedurë brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, atëherë sërish shkohet në zgjedhje.

“Madje, edhe nëse ndodh që ata marrin detyrën dhe shpallen zyrtarisht kryetarë të komunave, atëherë shtrohet çështja se si do të punojnë në ato komuna, marrë parasysh që në to nuk ekzistojnë më kuadrot, nuk ekziston pjesa e shërbyesve. Të gjitha ata kanë dhënë dorëheqje. Kështu që, kur ata do të duhej të udhëhiqnin ato vetëqeverisje lokale në ato komuna, ata nuk do të kenë në kë të mbështeten për t’i zbatuar vendimet. Nuk kanë as objekte, sepse në disa prej këtyre komunave, ata i ndajnë hapësirat me organet e përkohshme që punojnë sipas sistemit serb”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

“Qeveria duhet të na ndihmojë”

Kandidatët, që sipas rezultateve preliminare, fituan në katër komunat në veri të Kosovës, presin që të përballen me sfida, për tejkalimin e të cilave thonë se do të kërkojnë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

Qasjen fizike në objektet e komunave në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, kryetarët e rinj të këtyre komunave e pranojnë se do të jetë sfidë për ta dhe për kabinetet e tyre, për shkak se në to janë të pranishme edhe strukturat e të ashtuquajturave organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Ndërkaq, Komuna e Mitrovicës së Veriut e ka objektin e saj, ku janë të vendosura shërbimet në kuadër të sistemit të Kosovës.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq, si më i votuari në garën për kryetar të Mitrovicës së Veriut, tha të dielën para gazetarëve se nuk e sheh problem qasjen në objektin e komunës.

“Si në një komunë normale në një lagje mesatare të Republikës së Kosovës. Për të gjitha sfidat, jemi të vetëdijshëm dhe jemi të përgatitur. Do të jem kryetar i të gjithëve, pa marrë parasysh a janë përkrahës apo jo”, tha Atiq.

Lulzim Hetemi, po ashtu kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili mori më së shumti vota për kryetar të Komunës së Leposaviqit, thotë për Radion Evropa e Lirë se paraprakisht kanë marrë premtimin nga Qeveria e Kosovës se do të ndihmojë në funksionalizimin e institucioneve lokale.

“Tash duhet të na ndihmojë. Na ka premtuar se të bëjë investime, si të shqiptarët ashtu edhe te serbët. Ta shohim tash se si do të reagojë”, thotë Hetemi.

Ndërtesa e Komunës së Leposaviqit.

Ndërtesa e Komunës së Leposaviqit.

Në pritje të vendimit të Qeverisë

Por, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci, i cili, ka fituar në garën për kryetar të Komunës së Zveçanit, thotë për REL-in se sfidat janë të pritshme, dhe një ndër to është edhe qasja në objektin e komunës.

“Tash krejt varet nga institucionet e Kosovës se çfarë vendimi do ta marrim. Tash neve dhe ekipin tonë, a na dërgojnë në Komunën e Zveçanit [në objektin komunal]? Kjo është pak problem. Qeveria duhet të na tregojë se çfarë vendimi të marrim. Pra, të veprojmë ne apo Qeveria të na ndihmojë. Janë disa gjëra që tash nuk po mundem që përfundimisht t’i them saktë”, thotë Peci.

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit. Fotografi nga arkivi.

Ndërtesa e Komunës së Zveçanit. Fotografi nga arkivi.

Izmir Zeqiri nga PDK-ja, i cili sipas rezultateve preliminare të KQZ-së ka fituar garën për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, thotë se komuna ka edhe objekte të tjera ose ofiqari, në vendbanimet e kësaj komune të banuara me shqiptarë, të cilat mund të shfrytëzohen nga struktura e re udhëheqëse e komunës, në rast se objekti kryesor nuk lirohet nga strukturat e shtetit serb.

“Momentalisht, nuk do të synojmë të marrim objektin, mirëpo ne e konsiderojmë si të uzurpuar. Prioritet e kam konsolidimin, formimin e kabinetit qeveritar dhe ofertën për t’i përfshirë të gjithë ata [pjesëtarët e komunitetit serb]. Unë do të bëj ftesë që të kyçen në sistem, të punojmë bashkë”, thekson Zeqiri.

Ndërkaq, ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryetarët e rinj të komunave duhet të parashikojnë se si të veprojnë në rast se mund të ketë ndonjë bojkot të administratës komunale.

“Kryetari, pa pjesën e administratës, nuk mund të ofrojë shërbime për qytetarët. A do të ketë bojkot? Mund të ketë edhe thirrje për qytetaret që mos të marrin shërbime në komunë. Mandej, edhe ai presioni që do t’iu bëhet më tutje serbëve që të mos bashkëpunojnë me të zgjedhurit e rinj”, thotë Ferati.

 

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka shprehur bindjen se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, “ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”.

Duke folur për REL-in, më 23 prill, ministri Sveçla tha se kryetarët e rinj “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës” dhe se “të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit”.

Zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore u mbajtën për shkak se kryetarët e këtyre komunave – të gjithë nga radhët e Listës Serbe – kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

KQZ shpall rezultatet preliminare për zgjedhjet në veri: LVV e PDK fitojnë nga dy komuna pa balotazh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të katër komunave në veri të vendit ku dje u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas KQZ-së Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë fituar nga dy komuna qënë raundin e parë.

Sipas rezultateve preliminare, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar 73.5 për qind të votave në Leposaviq, apo 100 vota gjithsej, derisa rivalja e tij nga PDK mori 25% apo 34 vota.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej, Taulant Kelmendi i PDK-së 186 vota ndërsa Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare 75 vota.

Në Zubin Potok, Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës mori 52.1 për qind të votave, apo 196 vota derisa Flatron Hasani i LVV-së mori 180 vota.

Ndërkaq, në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës fitoi 60 për qind të votave apo 114 vota derisa rivali i tij Fetah Peci i LVV-së 71 vota apo 37.4%.

Kandidatja e pavarur në këtë komunë, Sllagjana Pantoviq – që ishte kandidatja e vetme serbe – fitoi pesë vota, apo 2.6 për qind.

Nga dhjetë kandidatë për postet e kryetarëve, vetëm një është nga radhët e komunitetit serb, pasi Lista Serbe dhe partitë tjera më të vogla nga radhët e këtij komuniteti i bojkotuan zgjedhjet me kërkesën e Serbisë.

Në këto rezultate nuk janë të përfshirë votat me kusht. Në zgjedhjet e djeshme në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 1567 qytetarë apo 3.47 për qind, nga gjithsej 45 mijë qytetarë me të drejtë vote.bw

Xhelal Sveçla: Këto zgjedhje do t’i neutralizojnë shantazhet e Beogradit

Prishtinë – Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi e deri tani procesi i zgjedhjeve në komunat e veriut, sa i përket çështjes së sigurisë është duke shkuar mirë.

“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabël, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë. Këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye, e edhe sa i takon aspektit të sigurisë”, tha ai.

Sipas tij edhe kushtet e punës janë mëse komode. “Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.

Ai bëri me dije se Policia e Kosovës është e përgatitur për të gjitha skenarit dhe në plotëni të përmbushur mandatin e saj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha për RTK se qeveria është e interesuar që veriun ta bëjnë njëjt sikur pjesët e Kosovës.

“Jemi në rrugë të mbarë, dikujt sikur Listës Serbe dhe Beogradit, nuk i përshtatet, prandaj ata në rrugë të ndryshme mundohen ta pengojnë”, tha ai.

Kurse për numrin e qytetarëve që do të dalin në zgjedhje, Sveçla, vlerësoi  se do të rritet gjatë ditës.

“Jemi të vetëdijshëm se për shkak të presioneve të jashtzakonshme ndikon në numrin e votuesve”, tha ai.

Sveçla tha nuk guxojmë të biem pre nga Beogradi dhe Lista Serbe. “Ne në vazhdimësi duhet të punojmë që të gjitha këto mekanizmat e shantazheve kriminale të Beogradit, t’i neutralizojmë, edhe këto zgjedhje janë mjet i neutralizimit të shantazheve. Nuk mund Kosova të jetë peng i kontrabandistëve, i Listës Serbe me anëtarë të së cilës janë të kërkuar jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë”, tha ai.

Sipas tij pavarësisht presioneve dhe shantazheve që Lista Sërpska dhe Beogradi kanë bërë, edhe ndërkombëtarët kanë njoftuar se këto zgjedhje janë legale.

“Qytetarët e kësaj zone kanë qenë subjekt i shantazheve, i kërcënimeve, maltretimeve, arrestimeve edhe vrasjeve, patjetër që kjo ka pasur ndikim në guximin e qytetarëve që t’iu kundërvihen veprimeve kriminale. Lista Serbe dhe Beogradi në vazhdimësi kanë shtyrë agjendat e tyre duke kërcënuar qoftë institucionet e Kosovës, qoftë qytetarët e kësaj zone”, tha ai. syri.net

Zgjedhjet në veri, ministri i Mbrojtjes së Kosovës: Mundësi që grupet nën udhëheqjen e Vuçiçit të marrin përgjigjen e merituar

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se qytetarët e komunitetit serb janë duke u përballur me kërcënime e presion nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga Beogradi.

Ministri ka pohuar se Serbia po vijon me përndjekje e arrestime të serbëve të cilët akuzohen se janë angazhuar në institucionet e Kosovës.

Ai ka shtuar se sa i përket zgjedhjeve në veri, shumë kandidatë janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta.

“Pasi nën presion i’u kanë kërkuar dorëheqjet nga institucionet tona, tani edhe i ndëshkojnë përmes arrestimeve e i kërcënojnë përmes formave të ndryshme. Qëllimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë më së shumti kanë rënduar mbi qytetarët e komunitetit serb të cilët në vazhdimësi janë përdorur si mjet për arritjen e qëllimeve të tyre. Ata janë kërcënuar në vazhdimësi, janë sulmuar, veturat dhe pronat e tyre janë djegur sapo i kanë dorëzuar targat ilegale të Serbisë, bizneset e tyre janë shkatërruar çdoherë që pronarët nuk kanë pranuar të jenë pjesë e lojërave të tyre. Zërat ndryshe janë ndalur padrejtësisht e me orë të tëra nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë ndërsa tani kur jemi në proces zgjedhor, shumë kandidatë janë penguar e janë dorëhequr për shkak të presioneve e sulmeve të shumta”, ka thënë ai.

“Nesër do të mbahet procesi zgjedhor në 4 komunat veriore dhe përkundër frikës dhe pasigurisë që tentojnë të përhapin qarqe të caktuara e të orkestruara, ju bëj thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votim. Nesër është mundësia që përmes votës së qytetarëve, grupet që kanë udhëhequr nën dirigjimin e Vuçiq të marrin përgjigjen e merituar dhe qytetarët të çlirohen përfundimisht nga ta”, është shprehur ai.

Zgjedhjet në katër komunat veriore do të mbahen nesër, ndërsa KQZ ka njoftuar se tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet.

Albin Kurti: 24 vite nga zhdukja me dhunë e Grupit të intelektualëve të Mitrovicës

Më 19 prill 1999, grupi me 23 doktorë, profesorë e veprimtarë të çështjes kombëtare, derisa po largoheshin për në Mal të Zi, janë ndaluar nga forcat serbe.
Adem Ademi, Idriz Rreci, Demir Ahmeti, Fatmir Fazliu, Adem Beqiri, Sahit Berani, Hasan Dervari, Ali Haliti, Shaip Ujkani, Faton Ujkani, Mahit Ujkani, Nazim Ujkani, Shkelzen Ujkani, Tahir Meziu, Sali Meziu, Naser Meziu, Zymer Meziu, Selim Meziu, Shaqir Meziu, Samir Meziu, Bekim Meziu, Xhevdet Meziu, Xhemail Meziu për herë të fundit janë parë në fshatin Dreth, në komunën e Zubin Potokut. Me dyshimin për varrezë masive, më 26 gusht 2021 ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, kanë gërmuar në fshatin Dreth, mirëpo nuk kanë gjetur asgjë. Forcat serbe, pas vrasjes, kanë zhdukur trupat, në përpjekje të zhdukjes të së vërtetës.
Është e domosdoshme që në Beograd të hapen arkivat, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.
Për zbardhjen e së vërtetës, drejtësi për viktimat e denim për kriminelët e luftës.

BE bën thirrje për përmbajtje gjatë zgjedhjeve në veri

Një patrullë policore qëndron pranë një kontejneri të vendosur në Zubin Potok. Kësaj here do të jenë 13 kontejnerë të vendosur në disa lokacione në veri, që do të përdoren për të votuar.

RFE/RL

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës të kalojnë në mënyrë paqësore dhe të gjitha palët të përmbahen.

Më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – do të zgjedhin kryetarët e rinj. Ndërkaq, në Leposaviq dhe Zveçan do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

BE-ja po ashtu sërish ka shprehur zhgënjimin për bojkotimin e zgjedhjeve nga partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – dhe ka thënë se është e domosdoshme që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

“Që kur serbët u larguan nga institucionet në veri të Kosovës në nëntor të vitit 2022, BE-ja bashkë me partnerët tanë, ishte angazhuar me të dyja palët për të ulur tensionet dhe që serbët e Kosovës të përmbushnin obligimin e tyre nga dialogu dhe të ktheheshin në institucione, ndërsa për Kosovën të mundësojë që ky kthim të realizohej. Deri më tani, pak përparim është arritur në këtë pikë. Është imperative që të kthehemi në situatën në të cilën serbët e Kosovës marrin pjesë në mënyrë aktive në qeverisjen lokale, polici dhe gjyqësor në veri të Kosovës. Na duhet që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë drejtim”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i obligonte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Në zgjedhjet e 23 prillit do të garojnë 10 kandidatë për kryetarë të katër komunave dhe vetëm një është nga komuniteti serb. Paraprakisht, edhe një kandidat tjetër serb kishte hyrë në garë, por ai u tërhoq nga gara tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Duke iu referuar zgjedhjeve dhe mospjesëmarrjes në to të Listës Serbe, Stano sërish shprehu zhgënjimin e bllokut evropian për vendimin e kësaj partie, duke pasur parasysh nevojën e angazhimit të serbëve lokalë në strukturat e pushtetit lokal.

“Është e domosdoshme që zgjedhjet të mbahen në kushte paqësore dhe BE fton të gjitha palët që të tregojnë përmbajtje”, shtoi Stano.

Stano përmendi edhe marrëveshjen e marsit mes Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas tij, parasheh pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e 27 shkurtit dhe aneksi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër më 18 mars, ishin hapa të mëdhenj. Marrëveshja dhe aneksi hapin rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve. Pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe në qeverisjen lokale”, tha ai.

Ai kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të kenë prioritet kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Lista Serbe, por edhe zyrtarët në Beograd, kanë vendosur dy kushte për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ndryshe, në zgjedhjet e 23 prillit, të hapura do të jenë 19 qendra votimi, 13 prej të cilave do të jenë të vendosura në kontejnerë.

Misionari Don Pren Prend Kola me Nënën e tij përuruan më 20 prill në Prizren Bibliotekën kushtuar Nënë Terezës (Video)

Misionari dhe udhëheqësi i Misonit Katolik në Kanada Don Pren Prend Kola së bashku me Nënën e tij, 87 vjeçare Zonjën Marija Kola-Demaj përuruan më 20 prill në Prizren Bibliotekën kushtuar Nënë Terezës.

Këtë lajm të bukur shoqëruar me një video Don Preni e jep përmes rrjetit social si më poshtë:

 

“Sot, më 20 prill 2023, në Prizren, Kosovë, hapa dhe përurova, bashkë me nanën teme 87-vjeçe, Marija Kola-Demaj, bibliotekën kushtue Nanë Terezës, e cila përmban 352 libra në 46 gjuhë dhe njikohësisht edhe bibliotekën jetësore, ku janë rreshtue 3586 libra, që nga shkollimi jem fillor e deri te ai postuniversitar. Librat e rendituna kanë përmbajtje edukative, letrare e gjuhësore, teologjike e filozofike, si dhe nga shkencat e ndryshme dhe janë në shqip, serbokroatisht, latinisht, italisht, gjermanisht, frengjisht dhe së fundi dhe në anglisht. Biblioteka ka edhe një ekspozitë të përhershme me 234 piktura për Nanë Terezën nga autorë shqiptarë dhe botërorë!

 

Ju falenderoj për vëmdjen që mund ta kushtoni!
Don Prendi”

Njoftimi i plotë i gjykatës për caktimin e paraburgimit për kryeshefin e KEK

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi.

I njëjti dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij, gjykata ka lëshuar një njoftim për media.

Njoftimi i plotë i gjykatës:

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale për të pandehurin N.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, Ushtrimi i ndikimit nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe Konflikti i interesit nga neni 417 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja e Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin N.K e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka  caktuar  masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. syri.net

‘Kërcënime, terror…’, Pantoviq: Serbët në veri detyroheshin të dilnin në barrikada

Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, Sllagjana Pantoviq deklaroi se ka ardhur koha për ndryshime pas qeverisjes dhjetëvjeçare të Listës Serbe në këtë komunë. Ajo ka akuzuar partinë e Goran Rakiqit që e ka shndërruar veriun si një Kore të Veriut ku serbët kanë jetuar në terror.

Pantoviq, që me profesion është juriste, konsideron se niveli i papunësisë dhe rasteve sociale është i lartë, ndërsa ka akuza edhe për nepotizëm. Ajo premton se do të ndërhyjë menjëherë duke rikthyer meritokracinë si kriter për punësim në këtë komunë.

Sipas saj, bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe komuniteteve të tjera, është i domosdoshëm dhe në të mirën e të gjithëve.

“Pas dhjetë viteve të udhëheqjes së Listës Serbe, këtij qyteti i duhet ndryshimi”, deklaroi Pantoviq.

Pantoviq, në një intervistë për KosovaPress, deklaroi se të gjithë serbët janë detyruar të zbatojnë urdhrat që vinin nga Lista Serbe, nëse i kërkohej të shkonin në tubime ishin të detyruar të dilnin, gjithashtu nëse iu kërkohej të dilnin në barrikada duhej që serbët të dilnin në barrikada.

“Problemet kryesore të qytetarëve janë se ata kanë jetuar thjeshtë si në Korenë Veriore, sistem një partiak, nën terror. Do të thotë nëse presidenti thotë të gjithë në tubim, atëherë të gjithë duhet të dalin në tubim, të gjithë në barrikada, të gjithë në barrikada. Do të thotë njerëzit kanë qenë të detyruar, janë kërcënuar, kështu që mendoj se njerëzve duhet t’u japim lirinë e të shprehurit dhe të drejtat”, ka thënë Pantoviq.

Pantoviq theksoi se prezenca e Policisë së Kosovës në Zveçan ka ndikuar që situata të jetë me e qetë në pjesën veriore.

Një ditë më parë, Partia e Serbëve e Kosovës së Aleksandër Jabllanoviqit, u tërhoq nga gara zgjedhore e 23 prillit me arsye se nuk ka kushte për mbajtjen e tyre.

Mirëpo, Pantoviq deklaroi se ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve, madje tha se ka pasur edhe në dhjetor kur fillimisht ishin paraparë të mbaheshin këto zgjedhje.

Ajo tha se nuk beson se do të ketë incidente të mëdha gjatë zgjedhjeve, derisa për incidente të vogla tha se ka pasur gjithmonë në veri.

Kandidatja për kryetare të Zveçanit, u shpreh se nuk është se ndihet edhe shumë e sigurt për shkak të kandidimit të saj në këto zgjedhje, por thotë se nuk frikësohet.

Pantoviq bëri të ditur se ka pasur ofendime pas takimit që kishte me kryeministrin Kurti kohë më parë në Prishtinë, mirëpo shprehet se ka zgjedhur rrugën e saj dhe nuk pendohet për këtë asnjëherë.

Gruaja e ish-policit serb të Kosovës: Burri im u largua nga puna me kërkesë të Beogradit, tani u arrestua në Serbi

Ivana Nikoliç, gruaja e ish-policit të arrestuar Dragan Nikoliç nga Leposaviçi, ka thënë se burri i saj është arrestuar më 10 prill kur po kthehej nga Serbia në Kosovë.

“Ne na kanë ndaluar në postbllokun e Serbisë në Jarinjë, na kanë kërkuar dokumente. Ai i ka dhënë dokumentet e Kosovës pasi targat e veturës i kemi RKS. Na thanë të prisnim dhe pastaj erdhi një veturë me regjistrim të Beogradit, oficerët që nuk na treguan letërnjoftimet, më thanë se ai do të shkonte në një intervistë informative në Rashkë ose Kralevë. Ai shkoi në intervistë, nuk ishte as Rashkë as Kralevë, ishte në Beograd. Këtë e mora vesh kur më thirri të nesërmen në dhjetë e gjysmë”, thotë Nikoliç.

Ajo shton se bashkëshorti i saj ka punuar 20 vite në Policinë e Kosovës dhe me ftesë të shtetit serb është larguar si gjithë të tjerët më 5 nëntor të vitit të kaluar, raporton N1.

“Ka nënshkruar kontratë me komunën, ndërsa muajin e kaluar i është ndalur rroga nga shteti serb. Ne i mbajmë tre fëmijë me atë pagë, nuk kemi asnjë të ardhur tjetër”, thotë politikania serbe.

 

Ajo thotë se do të merr pjesë në zgjedhjet për katër komunat e veriut të Kosovës, të cilat do të mbahen më 24 prill (e diel).

Nikoliç do të kandidojë për këshilltare në komunën e Leposaviçit nën siglën e Partisë Serbe të Kosovës.bw

As pas liberalizimit, me pasaportat e Kosovës nuk do të mund të udhëtohet në Spanjë

RFE/RL

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kush do t’i paguajë dëmshpërblimet që i kërkon Specialja?

Salih Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.

Doruntina Baliu

Qeveria e Kosovës nuk duket se ka ndonjë plan konkret për kompensimin e mundshëm të viktimave në rastin e Salih Mustafës, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i dënuar për krime lufte në Kosovë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kjo gjykatë, përmes një vendimi të marrë më 6 prill, e urdhëroi Mustafën që të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktima nga ky proces.

Megjithatë, gjatë shpalljes së vendimit u bë e ditur se Mustafa ka deklaruar se nuk posedon mjete për të paguar zhdëmtimin.

I gjendur në këtë situatë, trupi gjykues në Gjykatën Speciale theksoi nevojën “për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, sidomos Kosovën”.

REL-i pyeti më 18 prill Gjykatën Speciale nëse ka marrë ndonjë përgjigje nga Qeveria e Kosovës, në lidhje me vendimin e saj për zhdëmtimin e viktimave, por zyrtarë të saj mohuan se kanë pranuar ndonjë informacion.

Si parashihet zhdëmtimi i viktimave brenda Gjykatës Speciale?

Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Atje gjykohen krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

ligjin, përmes të cilit është krijuar kjo gjykatë, parashihet që viktimat e konstatuara të krimeve brenda juridiksionit të kësaj gjykate, ta kenë të drejtën e zhdëmtimit.

Ligji parasheh që gjykata mund të shpallë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim apo, në disa raste, t’i udhëzojë viktimat që të ngrenë padi civile në gjykatat tjera të Kosovës.

Në rastin e Salih Mustafës, gjykata dha urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtimin e viktimave.

A mund ta paguajë buxheti i Kosovës zhdëmtimin e viktimave të Mustafës?

Sipas legjislacionit aktual, mundësia e kompensimit të plotë të këtyre viktimave nga buxheti i Kosovës është e vogël.

Kjo, për shkak se gjatë hartimit të ligjeve, me të cilat është themeluar Gjykata Speciale, nuk është paraparë ndonjë fond i veçantë për t’i kompensuar viktimat e mundshme që dalin nga ky proces.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë në lidhje me atë se si mund të bëhet kompensimi i këtyre viktimave dhe në përgjigjen e marrë me shkrim thuhet se çështjen e kompensimit të viktimave të krimit e mbulon ligji aktual për këtë çështje.

Ky ligj parasheh që viktimat e krimeve të kryera brenda territorit të Kosovës, të mund të kompensohen nga programi shtetëror, në rastet kur për një arsye ose tjetër nuk mund të kompensohen nga personi që e ka kryer krimin ndaj tyre.

Megjithatë, brenda këtij ligji parashihen kufizime për shumat maksimale që mund të marrin viktimat individuale të krimeve.

Varësisht nga lloji i dëmeve që mund të ketë pësuar viktima e një krimi, në këtë ligj parashihen shuma të kompensimit deri në 4 mijë euro dhe në raste shumë të veçanta deri në 10 mijë euro.

Vendimi i Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave në rastin e Mustafës ka paraparë shuma nga 2 mijë deri në 80 mijë euro për secilën nga tetë viktimat.

Me gjithë insistimin e Radios Evropa e Lirë, Ministria e Drejtësisë nuk e komentoi faktin se ligji aktual nuk i mbulon shumat e zhdëmtimit që janë urdhëruar tashmë nga Gjykata Speciale.

As Zyra për Komunikim e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për koment në lidhje me këtë çështje.

Organizatat joqeveritare me mendime të ndryshme lidhur me zhdëmtimin

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që merret me drejtësinë tranzicionale, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Speciale për zhdëmtimin e viktimave.

“FDHK e konsideron këtë urdhër si një avancim në realizimin e së drejtës së kompensimit të viktimave”, thuhet në deklaratën publike të kësaj organizate të datës 7 prill.

Kjo organizatë, po ashtu, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një legjislacion adekuat dhe mekanizma që do të ofronin realizimin e dëmshpërblimit për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtor i FDHK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompensimi i viktimave të krimeve të luftës është shumë i rëndësishëm, por shton se kompensimi do të duhej të bëhej për të gjitha viktimat – edhe përtej juridiksionit të Gjykatës Speciale.

“Nëse do të duhej të krijohej një fond për kompensimin e viktimave të krimeve të luftës, të cilat janë vërtetuar nga kjo gjykatë [Gjykata Speciale], nuk do të ishte e drejtë që t’i përfshinte vetëm viktimat që vërtetohen nga Dhomat e Specializuara [në Hagë]”, thotë Blakaj.

Nga arkivi i REL-it:

Por, sipas Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Kosovë, Gjykata Speciale “nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kompensojë këto viktima”.

Sipas kësaj organizate joqeveritare, fondi për pagesën e viktimave do të duhej të krijohej nga buxheti i vetë Gjykatës Speciale, e jo të bëhet ngarkesë shtesë në buxhetin e Kosovës.

Rikujtojmë se Gjykata Speciale financohet nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe disa shtete të tjera kontribuuese.

Sipas raportit të kësaj gjykate të publikuar në vitin 2021, ky institucion përgjatë viteve 2016-2020 ka pasur një buxhet prej më shumë se 150 milionë eurosh.

Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër, që u ka garantuar të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare.

Ministria e Drejtësisë nuk i tregoi shifrat e fundit për shpenzimet për të akuzuar, por, sipas disa llogaritjeve të mëhershme, kjo shumë i kalon 13 milionë euro.

Këtë muaj, në Gjykatën Speciale në Hagë ka nisur gjykimi i katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Nga arkivi i REL-it:

Në proces është edhe gjyqi kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte.

Si është bërë zhdëmtimi i viktimave të luftës në rajon?

Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përfshirë nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90, të cilat kanë çuar në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.

Në vitin 1993 është themeluar Tribunali i Hagës, i cili ka trajtuar krimet e luftës, të kryera në këtë rajon në atë kohë.

Aktakuzat e kësaj gjykate kanë përfshirë periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe kanë pasur në shënjestër anëtarë të grupeve të ndryshme etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Kjo gjykatë, ndryshe nga Gjykata e tanishme Speciale e Kosovës, nuk ka shqiptuar ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për zhdëmtim të viktimave, mirëpo viktimat janë udhëzuar t’u drejtohen gjykatave vendore përkatëse për të siguruar zhdëmtimin.

Sipas një raporti të vitit 2021 të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, qindra padi për zhdëmtim janë bërë në gjykatat në Serbi, duke kërkuar kompensim nga shteti serb për krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ‘90.

Ky raport nuk tregon se sa raste kanë fituar dëmshpërblim në total, por kritikon gjykatat se kanë ofruar shuma të vogla për kompensim dhe kanë tejzgjatur procedurat gjyqësore për viktimat.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Mali i Zi, miliona euro janë paguar në emër të zhdëmtimit të viktimave të krimeve të luftës në këtë shtet.

Sa i përket Bosnje dhe Hercegovinës, ky shtet nuk ka një ligj specifik shtetëror për t’i mbështetur viktimat e luftës, përfshirë viktimat e dhunës seksuale.

Në një rast të paprecedentë, një viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ka arritur që përmes Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës, ta detyrojë shtetin e Bosnjës që t’i paguajë një dëmshpërblim prej 15 mijë eurosh.

‘Është obligim kushtetues e ligjor’, Kurti insiston për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot ambasadorin e OSBE-së, Michael Davenport.

Në takim, siç u bë e ditur në komunikatë, u diskutua për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës dhe për fushat e përbashkëta të bashkëpunimit në mes të OSBE-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri theksoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale edhe si obligim kushtetues e ligjor, por edhe si procedurë e legjitimitet demokratik për institucionet në shërbim të qytetarëve.

“Nevoja për funksionim normal të sistemit dhe institucioneve shtetërore e bënë të nevojshme mbajtjen e zgjedhjeve”.

Kujtojmë që, ditë më parë, Lista Serbe, që ka udhëhequr me katër komunat veriore ka treguar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sipas tyre deri në formimimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e 23 prillit, për kryetarë të katër komunave në veri do të garojnë 11 kandidatë, ku vetëm dy prej tyre janë nga komuniteti serb.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të mbahen në veri pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Kryetarët e këtyre komunave dhanë dorëheqje në nëntor të vitit 2022 për shkak të vendimit qeveritar për targat ilegale serbe.

Zgjedhjet në veri fillimisht janë caktuar për datën 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo ato janë shtyrë pas incidenteve nga grupe kriminale serbe ndaj zyrtarëve të KKZ-ve dhe pamundësisë për organizimin e tyre. syri.net

Sulmohet gazetari i RTK-së afër shtëpisë ku ndodhi rasti tragjik në Pejë

Gazetarët jo rrallëherë përballen me pengesa, kanosje e sulme gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Të tilla raste përveç që ua vështirësojnë punën, ua kërcënojnë edhe jetën. Rasti i fundit ishte ai i Valon Sylës, që nxiti reagime të shumta në Kosovë. E pa kaluar disa ditë nga ky incident, një gazetar i televizionit publik është përballur me një sulm.

Nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për gazetarin Islam Haxhiu.

Islam Haxhiu është sulmuar pasditen e djeshme, në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ku kishte shkuar për të marrë informacione lidhur me rastin tragjik të vrasjes së rëndë, që tronditi vendin.

Sipas informacioneve të para, gazetari fillimisht është përballur me sulm verbal nga i dyshuari, i cili e ka ofenduar dhe e ka sharë, e më pas ia ka marrë me zor telefonin. Për të mos mbaruar me kaq, ai e ka goditur viktimën me grusht.

Rasti është denoncuar menjëherë në Polici nga gazetari Haxhiu, i cili ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që ka ndodhur.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtarë” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë” syri.net

Policia konfiskon mbi 170 pajisje për kriptovaluta në veri

RFE/RL

Policia e Kosovës ka konfiskuar 174 pajisje të paligjshme, që ishin përdorur për mihjen e kriptovalutave, gjatë një aksioni në Zubin Potok.

Kështu bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një postimi në Twitter.

“Mospagimi i faturave të energjisë elektrike ka inkurajuar aktivitetet e tilla të paligjshme. Për këtë Serbia bllokon zbatimin e Udhërrëfyesit për energjinë. Ne kemi përmbushur zotimet tona. Është koha që edhe pala tjetër urgjentisht të bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar ajo në Twitter.

Më herët gjatë ditës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte konfirmuar aksionin e autoriteteve të vendit në veriun e banuar me shumicë serbe, por nuk kishte dhënë më shumë detaje.

Më 2022, kur Kosova u përball me krizë të energjisë, Qeveria e Kosovës ndaloi mihjen e kriptovalutave, proces që shpenzon shumë energji elektrike.

Edhe më herët, zyrtarët policorë kishin kryer aksione të ngjashme në rajone të ndryshme të Kosovës, duke konfiskuar pajisje për kriptovaluta.

Katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – që nga përfundimi i luftës nuk paguajnë për energjinë e shpenzuar.

Deri më 2017, për rrymën në veri kishin paguar qytetarët nga viset e tjera të Kosovës. Gjatë kësaj periudhe kohore, faturat e qytetarëve në komunat e tjera të Kosovës kanë qenë për 3.5 për qind më shtrenjtë.

Por Gjykata Themelore e më pas ajo e Apelit, thanë se praktika e tillë e pagesës për rrymën e shpenzuar në veri ishte e jashtëligjshme. Ky vendim u konfirmua më 13 prill të këtij viti edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Supremja konstatoi se konsumatorët mund të kërkojnë të kompensohen për rrymën e paguar për veriun.

Për çështjen e energjisë elektrike në veri, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar edhe në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Më 2013 palët arritën Marrëveshjen për energjinë, e cila nuk është zbatuar. Për shkak të moszbatimit, më 2022, Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për energjinë.

Përmes udhërrëfyesit synohet të rregullohet çështja e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Për furnizim dhe faturim të veriut me rrymë do të merret kompania serbe, Elektrosever, por BE-ja ka konfirmuar vitin e kaluar se ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit.

KQZ miraton 19 qendra të votimit në veri, 13 prej tyre alternative

RFE/RL

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) ka miratuar listën e qendrave të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e banuara më shumicë serbe, në veri të Kosovës.

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqit.

Në këto komuna do hapen 19 qendra të votimit. Prej tyre, 13 do të jenë alternative apo në kontejnerë. Vendimi për këto qendra u miratua nga KQZ-ja, me tetë vota për dhe një abstenim, në mbledhjen që ky institucion ka mbajtur të premten.

“Nga 44 qendra të votimit – në të cilat zakonisht është zbatuar procesi zgjedhor në vitin 2021 , 2019 dhe më herët – tetë prej tyre kanë konfirmuar se mund t’i hapin ato. Duke u bazuar në vlerësimin e Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) dhe të organeve të sigurisë, është konstatuar se vetëm gjashtë qendra të votimit mund të hapen në lokacionet e zakonshme”, tha Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai shtoi se 13 qendra të votimit do të jenë alternative ose procesi i votimeve do të zhvillohet në kontejnerë, të cilat do sigurohen nga institucionet tjera.

Në proceset e mëhershme zgjedhore në komunat veriore të Kosovës, qytetarët kanë votuar në qendrat e votimit, të cilat ishin të vendosura në shkolla. Por, zgjedhjet e 23 prillit, votimi në shkolla është bërë i pamundur për shkak se ato kontrollohen nga strukturat që punojnë sipas sistemit të Serbisë, i cili i kundërshton zgjedhjet.

Vendimi për zgjedhjet e jashtëzakonshme është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Zgjedhjet fillimisht ishin paraparë të mbaheshin dhjetorin e kaluar, por u anuluan për shkak se grupe qytetarësh atje, shkaktuan incidente gjatë fazës së përgatitjeve.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, nuk ka aplikuar që të marrë pjesë në këto zgjedhje. Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.

Me pasaportë diplomatike në zonën VIP, kapet me drogë dhe arrestohet në aeroportin e Stambollit stilisti Valdrin Sahiti

Policia e Turqisë arrestoi dje në Aeroportin e Stambollit stilisti i njohur kosovar Valdrin Sahiti. Ky i fundit është i dyshuar për veprën penale blerja, pranimi, posedimi i drogave dhe stimuluesve për përdorim bazuar në nenin 191 të kodit penal të Turqisë.

Policia Turke e ka njoftuar Policinë e Kosovës se Valdrin Sahiti është kapur me pasaportë diplomatike të lëshuar nga Republika ne Kosovës. Sahiti ka shfrytëzuar statusin e diplomatit për të kaluar në zonën VIP të aeroportit të Stambollit, mirëpo pas dyshimeve të policisë turke ai është kapur në flagrancë dhe gjatë kontrollit i është gjetur drogë. Menjëherë pas kësaj Vadrin Sahiti është arrestuar në Aeroportin e Stambollit.

Sahiti është pajisur me pasaportë diplomatike në vitin 2020 me rekomandim të ish-ministres së jashtme të Kosovës Melisa Haradinaj. syri.net

Arrestohen të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla

VOA

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha të mërkurën në mbrëmje se janë arrestuar tre personat e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, drejtor i portalit ‘Gazeta Metro’ në Prishtinë. Gazetari Syla u sulmua të martën në mbrëmje dhe u trajtua për lëndime në kokë në spitalin e Prishtinës.

Ndërkaq në një komunikatë të Prokurorisë së Posaçme dhe policisë së Kosovës, thate se te dyshuarit u arrestuan “pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit”.

Tre të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mos durimit”, thuhet në komunikatë.

Zoti Syla në një postim më të gjatë në rrjetet sociale tha se është sulmuar fizikisht ndërsa po hynte në një kafene në kryeqytet, nga tre persona të cilëve ai vet iu referua si “islamik fanatik”. Ai tha se sulmi sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me disa reagime të tij rreth ngjarjeve në Bashkësinë Islame të Kosovës, të cilat sipas tij “kanë nxitur komunitetin e militantëve islamik të organizojnë sulm fizik të paramenduar”.

“Ajo që më shqetëson personalisht në këtë rast është që reagimet përpos që ishin të faktuara, kishin dhe doza të theksuara të humorit. Dhe kjo nuk po pranohet nga një komunitet islamik që sillet me tipare mesjetare dhe nuk po arrin të pranojë humorin dhe fjalën e lirë, shpalos te ata zymtësinë e theksuar te mendimit dhe mentalitetit të tyre”, tha ai.

Zoti Syla tha se “frikësimi i masave, dhuna dhe të gjithë ata që predikojnë kundër lirive dhe veprojnë si përcjellës të kësaj fryme fanatike, nuk janë as për paqe dhe as për liri. Ky është rreziku që po na kanoset të gjithëve”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënoi sulmin duke e cilësuar atë “papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”.

Sulmi u dënua ashpër nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, e cila u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës të zhvillojnë hetime të pavarura dhe profesionale dhe që të sjellin kryesit e veprës para drejtësisë.

Ricardo Gutierrez, nga Federata e Gazetarëve të Evropës duke e dënuar sulmin, tha se ky është një rast i mirë për Kosovën që të hartijë një plan kombëtar për zbatimin e standardeve evropiane mbi sigurinë e gazetarëve.

“Politikbërësit duhet të kenë guximin për të vepruar. Të qëndrosh pasiv është të jesh bashkëpunëtor i sulmuesve”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në nisje të mbledhjes së qeverisë të mërkurën se sulmi ndaj gazetarit Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm.

“Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha kryeministri Kurti, duke kërkuar nga organet e rendit që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në një reagim në rrjetet sociale se sulmi ndaj gazetarit Valon Syla është një shkelje e rëndë e lirisë së shtypit dhe e të drejtave të njeriut, dhe nuk mund të tolerohet kurrsesi në një shoqëri demokratike.

“Sulmi ndaj tyre është një krim i cili nuk përkon as me kulturën dhe as me traditën tonë shqiptare”, tha zoti Konjufca.

Sulmi u dënua gjerësisht nga punonjësit e medieve dhe përfaqësues partish politike në vend.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se numri i sulmeve ndaj gazetarëve të raportuara në këtë institucion ka shënuar rritje nga viti në vit.

Në vitin 2020 ta zëmë janë raportuar 24 raste, në vitin 2021 – 29 raste, në vitin 2022 – 33 raste. Ndërsa gjatë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar dhjetë raste të sulmeve ndaj gazetarëve.

“Serbët jolojalë” mbesin pa paga nga Serbia

Sandra Cvetkoviq

Pesë muaj pasi kanë dorëzuar dorëheqjet në institucionet e Kosovës në veri të vendit, kjo nuk është dëshmuar si zgjidhje e mirë për disa qytetarët nga komuniteti serb. Ata pretendojnë se Lista Serbe, e cila kërkonte dorëheqjen e tyre dhe u ofronte zgjidhje të përkohshme, tani po i sanksionon dhe shantazhon nëse nuk e përkrahin politikën e kësaj partie të afërt me Beogradin.

“Dorëheqjet që dhamë nuk rezultuan për të mirë”.

Me këto fjalë, Millosh Delliq nga Leposaviqi, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës, shpjegon situatën në të cilën gjendet dhe faktin se nuk ka marrë pagë për muajin mars.

Ai është njëri nga disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb që u larguan nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, në fillim të nëntorit të vitit 2022, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e procesit të riregjistrimit të automjeteve me targa serbe në ato të Kosovës.

Asokohe, dorëheqje dhanë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve nga radhët e Listës Serbe, parti kjo që gëzon mbështetjen e Beogradit. Serbia, e drejtuar nga presidenti Aleksandar Vuçiq, e mbështeti këtë veprim dhe në këmbim u dha të gjithëve kontrata, në bazë të së cilave do të duhej të merrnin pagë.

Mirëpo, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL), Delliq thekson se janë “mashtruar” dhe u është “luajtur loja”, sepse, siç beson ai, Lista Serbe tani po “qëron hesapet” me individët që nuk e mbështesin politikën e tyre.

“Në atë kontratë thotë se ne punojmë për komunitetin serb. Kjo është me pikëpyetje për mua, çfarë do të thotë kjo”, pyet Delliq, duke theksuar se tash Lista Serbe do t’u bëjë shantazh me kontrata dhe paga.

Millosh Delliq, me profesion stomatolog, punoi rreth pesë vjet në sistemin e Kosovës, në fushën e gjerontologjisë. Gjeronto-nikoqir/nikoqire është një program për ndihmë ndaj personave të moshuar, i cili kryesisht realizohet përmes vetëqeverisjes lokale.

Ky bashkëbisedues i REL-it thotë se i është dashur të japë dorëheqje, sepse ndaj tij ka pasur “shantazh dhe kërcënime”.

A ka raste të tjera të ngjashme?

Në një situatë thuajse identike sikurse të Delliqit, u gjend edhe kolegia e tij, Suzana Millunoviq, e cila për një gjë të tillë e fajëson Listën Serbe.

“Lista Serbe është një listë që ka vite që i bën shantazh popullit. Ne jetojmë këtu nën shantazh dhe presion. Ne shqetësohemi për familjet tona. Nëse nuk shkojmë në barrikada, na heqin menjëherë nga lista e pagave”, thotë Millunoviq.

Në veri të Kosovës, barrikadat ngrihen si formë e “rezistencës” ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq Lista Serbe gjithmonë i ka përkrahur publikisht.

Edhe më parë, qytetarë të caktuar kanë deklaruar se janë “të detyruar” të shkojnë në barrikada me turne, por Lista Serbe theksoi se bëhej fjalë vetëm për vullnetin e popullit.

Delliq dhe Millunoviq theksojnë se ende shkojnë në punë, për të cilën janë paguar nga Serbia që prej dorëheqjes nga institucionet e Kosovës, por deklarojnë se nuk e kanë marrë pagën për muajin mars. Shërbimet në veri të Kosovës, të cilat u përkasin institucioneve lokale, shpesh janë të ndërthurura në mes të sistemit kosovar dhe atij serb.

Në mjediset e banuara me serbë në Kosovë funksionojnë Organet e përkohshme komunale, të cilat financohen nga buxheti i Qeverisë së Serbisë. Gjithashtu, institucionet shëndetësore dhe arsimore, në mjediset e banuara me serbë në Kosovë, punojnë në kuadër të sistemit të Serbisë. Megjithatë, ndodh punëtorët të punësohen në sistemin e Kosovës dhe më pas të angazhohen në institucionet serbe.

Një shembull i tillë është Ivana Ignjatoviq, e cila punon si mësuese në një institucion parashkollor në territorin e Komunës së Leposaviqit. As ajo nuk e ka marrë pagën e muajit mars, sipas kontratës që i ka dhënë Serbia, pasi kishte dhënë dorëheqje nga sistemi i Kosovës.

Duke folur për REL-in, ajo shpreh bindjen se po e “sanksionon” Lista Serbe, sepse nuk e përkrah politikën e tyre.

Ignjatoviq thekson se gjashtë vjet më parë edhe bashkëshorti i saj ishte shkarkuar “për arsye politike” në Komunën e Leposaviqit, që funksionon sipas sistemit të Kosovës. Më pas, ai e fitoi rastin në gjykatë, por megjithatë, nuk u rikthye në punë.

“Tani ma kanë ndërprerë edhe pagën. Përfundimisht, kjo ndikon që populli të zhvendoset në mënyrë masive nga këtu. Siç thashë, nuk ka dyer në të cilat mund të trokasim për të marrë një zgjidhje pozitive”, thotë ajo.

A mbetën pa paga politikanët nga Lista Serbe?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Listës Serbe me kërkesën për të komentuar akuzat e banorëve të caktuar të Leposaviqit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka arritur ndonjë përgjigje.

Përgjigje nuk ka dhënë as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Përveç punëtorëve në institucionet e Kosovës, vitin e kaluar dorëheqje kanë dhënë edhe politikanët e Listës Serbe, në nivel lokal dhe qendror.

Megjithatë, shumica prej tyre tashmë kishin një pagë të dytë në sistemin serb, për të cilën gjë, REL-i raportoi në disa raste.

  • Po ashtu, dhjetë deputetë nga Lista Serbe, disa ditë pas dorëheqjes së tyre, janë zëvendësuar me nëntë deputetë të tjerë nga kjo parti, të cilët kanë dhënë betimin në Kuvendin e Kosovës.

Shpjegimi i tyre ishte se nuk donin t’i humbnin mandatet e rezervuara për komunitetin serb. Ndonëse ata nuk marrin pjesë në seancat parlamentare, marrin paga çdo muaj.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Send this to a friend