VOAL

VOAL

KËSHTU E MBROJTI DIOGUARDI KOSOVËN NË WASHINGTON PARA SERBIT VEJVODA

Joseph DioGuardi është emër i njohur për popullin e Kosovës tash e sa vite. Megjithëse pavarësia e Kosovës ka ndodhur, puna e tij në mbrojtjen e çështjes së shqiptarëve nuk ka përfunduar.

Këtë ai e tregoi edhe në dëshminë e fundit që e dha në Washington ku kërkoi shqiptarët e Kosovës të përkrahen në integrimin e tyre në Evropë.

Të gjithë këto dëshmi, DioGuardi i dha para ish këshilltarit të lartë për politikë të jashtme në qeverinë serbe të  Zoran Gjingjiq dhe Zoran Zivkovic ndërsa ekskluzivisht për “Zërin” ai na e ka dërguar edhe videon e dëshmisë së tij.

“Mendoni për shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni. Ata sot kanë shkallën më të lartë të lindjes në Evropë sot. Tani mendoni për faktin se nuk ka liberalizim të vizave në Kosovë. Andaj nuk ka asnjë mënyrë që të rinjtë kosovarë të shkojnë në Perëndim dhe detyrohen të shkojnë në Turqi”, ka thënë DioGuardi, transmeton Zeri.info.

Ai më pas ka folur edhe për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë. ““Ju keni dëgjuar edhe shumë fjalë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Por si mund të ketë normalizim të marrëdhënieve kur në të gjitha rastet që i ofrohen Serbisë, ajo thotë se ne asnjëherë nuk do ta njohim shtetin e Kosovës. Si mund të keni integrim evropian kur 5 vende nga 28 vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar ai, transmeton Zeri.info.

Krejt në fund DioGuardi tha që Washingtoni nuk duhet të harroj kush janë shqiptarët duke i cilësuar më pro amerikanët në Ballkan.

“Dhe mos harroni se kush janë shqiptarët. Ata janë më pro amerikanët, më pro demokratikët, dhe më tolerantët në aspektin fetar. Ata kanë katër religjione dhe edhe Sinagoga. Mysliman, katolikë e hebrenj jetojnë në harmoni së bashku. Këtë ne duhet ta përkrahim. Kjo nuk ndodhë askund në Evropë. Njerëzit nga Kosova kur ndodhi 11 shtatori në SHBA, shqiptarët po qanin dhe po ecnin rrugëve me qirinj derisa serbët, maqedonët, grekët e malazezët po festonin rrugëve. Dua vetëm të ju kujtoj se kush janë miqtë tanë në Ballkan.

Kosova nuk është dashur asnjëherë të futet në Jugosllavi pasi që nuk janë sllavë dhe ky është gabimi më i madh që ishte bërë pas luftës së parë botërore.

Sa I përket Kosovës, nëse Bashkimi Evropian është serioz për integrimin e Kosovës atëherë duhet të jetë më agresive që të shtyjë njohjen e Kosovës nga vendet të cilat nuk e kanë njohur duke përfshirë Serbinë”, ka përfunduar DioGuardi./Zeri/

VIHET GURTHEMELI I NDËRTESËS SË AMBASADËS AMERIKANE NË PRISHTINË

Autoritetet e Kosovës thonë se ndërtimi i ambasadës nuk është vetëm përcaktim i adresës së përhershme amerikane por edhe simbol i qëndrueshmërisë së shtetit të ri.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson hodhën gurthemelin e ndërtesës së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë. Rreth 700 punëtorë do të angazhohen në ngritjen e kësaj godine që siç u tha, shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë së përhershme të diplomacisë amerikane në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se qytetarët e Kosovës janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që Shtetet e Bashkuara kanë në bërjen e Kosovës shtet.

“Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë”.

Ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jacobson tha se dita e sotme shënon thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Në këto vjet ekipi ynë ka punuar me shumë zell për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt zhvillimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik. Prandaj, po e ndjej që sot po e vëmë gurthemelin jo vetëm për ambasadën e re aq të nevojshme, por edhe të simbolit të përkushtimit dhe miqësisë së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës”, tha ambasadorja Jacobson.

Ndërtimi i ambasadës amerikane ndodhë 19 vjet pas hapit të parë të pranisë së përhershme amerikane në Kosovë. Në qershor të vitit 1996 Shtetet e Bashkuara hapën në Prishtinë Zyrën Informative, e cila pas luftës u shndërrua në misionin e Shteteve të Bashkuara për t’u shndërruar në ambasadë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Në Kosovë vazhdon të çmohet shumë roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar vendi. Ky rol shihet i pazëvendësueshëm edhe në proceset e ardhme politike të Kosovës dhe përmbushjen e aspiratave të saj për integrimet euro atlantike. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Deri tash mbi 100 vende të botës e kanë pranuar pavarësinë e shtetit të ri e cila kundërshtohet ashpër nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. Zyrtarët amerikanë kanë përsëritur në vazhdimësi se pavarësia është proces i pakthyeshëm dhe se Kosova është e bashkuar dhe e pa ndarë. Por, njëkohësisht ata kanë kërkuar që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësitë për ndërtimin e një shteti funksional, ringjalljen ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe veçanërisht mbrojtjen e pakicave kombëtare. za

KOSOVA SHËNON 7 VJETORIN E NËNSHKRIMIT TË KUSHTETUTËS

Institucionet e Kosovës kanë shënuar sot shtatëvjetorin e nënshkrimit të Kushtetuës së Republikës.

Akti më i lartë juridik është nënshkruar më 9 prill të vitit 2008.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar këtë si njërën ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra, që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes”, ka thënë Jahjaga.

Sipas saj, qytetarët duhet të jenë krenarë që kanë një Kushtetutë, e cila“shtrin sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës”.

Kryeministri Isa Musatafa ka thënë, në anën tjetër, se Kushtetuta është një sublimim i heroizmit dhe mosnënshtrimit që ka treguar populli kosovar për vite dhe shekuj. rel

KURTI – QEVERIA SJELL PROJEKTLIGJ SI KRAHINË E VARUR

Seanca e Kuvendit ka vazhduar me debatin për projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ku Albin Kurti nga Vetëvendosje tha se me këtë projektligj Qeveria po pranon se dialogu nuk po zhvillohet me Serbinë por në mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai u ndal edhe te anëtarët e komisionit të kësaj Agjencie, ku në projektligj thuhet se tre janë shqiptar dhe dy nga zyra e BE-së, të cilat kanë kompetenca të mëdha.

“Projektligji e nënshtron Kosovën ndaj përfaqësuesit të BE-së, kjo për shkak të emërimeve të anëtarëve të këtij komisioni, një shtet i pavarur nuk sjellë këso ligje por këto projektligje janë në koloni vazale dhe krahina të varura”,
ka thënë ai. – VOAL

ZËRI I AMERIKËS – SERBIA ‘ZEMËROHET’ SËRISH ME EDI RAMËN

Beogradi reagoi me zemërim ndaj deklarateve të kryeministrit të Shqipërsië Edi Rama për bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI

Arkiv: Nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd në nëntor të vitit 2014Autoritetet serbe reaguan me zemërim ndaj deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi.Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, citohet nga mjetet serbe të informimit të ketë thënë se “Kosova dhe Shqipëria, nuk do të bashkohen kurrë, në formën klasike. U lutem udhëheqësve shqiptarë që të ndalen së provokuari jo qëndrueshmërinë në rajon”, citohet të ketë thënë ai në një postim në rrjetin social Twitter.Edhe zyrtarë të tjerë serbë thanë se deklaratat e kryeministrit Rama “janë kërcënim për paqen dhe qëndrujeshmërinë në rajon dhe thirrje e rrezikshme për ripërcaktim kufijsh në Ballkan”.Reagimet pasuan një intervistë të përbashkët të kryeministrit, Edi Rama me ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, në televizionin “Klan Kosova”, pak kohë pasi që të dy u nderuan me titullin “Qytetar nderi i Ulqinit”.Kryeministri Rama tha se “puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian”.

“Bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, pasi këta janë në fakt shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare, dhe nuk flasim për të tjerët që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë? A do të ndodh në funksion të Bashkimit Evropian si proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë? Apo do të ndodhë si reagim ndaj një verbërie apo një përtacie evropiane, për të kuptuar që vetë Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj vetvetes, duke u kthyer nga një fuqi që gjithnjë e më shumë është e varur nga taktika e ditës në një fuqi strategjike?Një Evropë strategjike do të kërkonte që Ballkani të ishte pjesë e saj dhe që normalisht pastaj, të gjitha etnitë në Ballkan të kishin lehtësinë e të qenit së bashku, pa pasur nevojë që të merreshin me kufijtë. Ndërkohë që një Evropë verbërisht taktike në vijim do të bënte që të triumfonte me patjetër dhe pa asnjë mundësi të dytë, linja e një bashkimi, përsëri në funksion të një Evrope të ardhshme, por në radhë të parë në funksion të një të sotmeje ku shqiptarët nuk do ta pranonin për një kohë të gjatë këtë historinë “tërhiq e mos e këput” të Evropës dhe të kësaj qasjes “tërhiq e mos e këput” me njëri tjetrin”, tha kryeministri Rama.

Në këtë intervistë ai ka tërhequr vërejtjen që “nëse Evropa e shikon Ballkanin dhe zhvillimin në Ballkan si gjëra pa lidhje me fatet e saj dhe nëqoftëse Evropa nuk arrin të kuptojë që proceseve që janë përshkallëzuar falë paqes në rajon duhet t’ia bashkojë edhe vullnetin e vet për të përshpejtuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit dhe kështu të përshpejtojë integrimin, mundet vërtetë të bëhet pa dashje sponsore e nacionalizmave folklorik”.

Kryeministri Rama ishte zyrtari i parë i lartë shqiptarë që kishte vizituar Serbinë pas një ngrirjeje 68 vjeçare gjatë së cilës nuk është shënuar asnjë takim i nivelit të tillë ndërmjet dy vendeve, në radhë të parë për shkak të Kosovës.

Vizita e tij në vjeshtën e vitit të kaluar në Beograd kaloi në shenjë të përplasjeve me mikpritësin e tij Aleksandër Vuçiç, i cili reagoi me zemërim për shkak të deklarimeve të kryeministrit Rama në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës, të cilën Serbia vazhdon ta kundërshtojë.

www.voal-online.ch

EKSPERTËT – POLITIKA NUK E PËRFILL KUSHTETUTËN, EDHE 7 VJET PAS MIRATIMIT, AJO NUK ZBATOHET

Kushtetuta e Kosovës edhe shtatë vjet pas miratimit vazhdon të mos zbatohet në disa aspekte të saj, thonë ekspertët e çështjeve kushtetuese dhe analistët politikë.

Profesori dhe eksperti i çështjeve kushtetuese, Riza Smaka, i cili ka qenë edhe anëtar i komisionit për hartimin e Kushtetutës, mendon se në Kosovë ende ka probleme të mëdha në zbatim e Kushtetutës.

“Politika duhet ta krijojë juridiken ndërsa juridika duhet ta komandojë politikën, përderisa nuk ndryshohet dhe nuk plotësohet. Në vendin tonë nuk është gjithmonë kështu, kështu që politika edhe e krijon dhe më pastaj pa e ndryshuar dhe pa e plotësuar, nuk e përfill, por i përfill politikat ditore qeveritare dhe kjo shkon në disfavor të shtetit të së drejtës”,
vlerëson Smaka për Radion Evropa e Lirë.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008, përderisa ajo kishte hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Analisti i çështjeve politike Halil Matoshi, konsideron se edhe pse Kushtetuta e Kosovës është një Kushtetutë moderne, praktikisht në shumë aspekte nuk zbatohet.

Ai madje thotë se Kushtetuta nuk zbatohet, sidomos sa i përket sundimit të ligjit.

“Kushtetuta si akti më i lartë juridik- politik, nga e cila kanë derivuar ligjet në shtetin e Kosovës, praktikisht mbetet vetëm në letër, ndërkaq nuk vërehet zbatueshmëria e saj në një përqindje shumë të madhe”,
tha Matoshi.

Profesori Riza Smaka, zbatimin e Kushtetutës në veri të Kosovës, por edhe në komunat me shumicë serbe e sheh si problem politik.

Ai thotë se në ato komuna të banuara me shumicë serbe vazhdojnë të funksionojnë struktura që mbështeten nga pushteti në Republikën e Serbisë.

“Çështja veriut është çështje specifike, por kryesisht është çështje politike edhe shprehje e raporteve të forcave në terren. Kjo është çështje e tillë edhe natyrisht edhe këtu politikat duhet të ishin më pro-aktive”,
tha Smaka.

Lidhur me shtrirjen e Kushtetutës në veri të Kosovës, analisti Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se në këtëpjesë të vendit “Kushtetuta nuk ekziston”.

“Në veri nuk sundojnë, nuk mbretërojnë ligjet në frymën e Kushtetutës së Kosovës. Praktikisht për veriun e Kosovës, Kushtetuta e Kosovës është inekzistente”, u shpreh Matoshi.

Ndryshe, institucionet e Kosovës kanë shënuar të martën shtatë vjetorin e nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës.

Presidentja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar këtë si njërën ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës u aprovua si domosdoshmëri e kohës që do ta mundësonte krijimin e Kosovës së pavarur, por edhe si akt i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra, që punuan e u flijuan që ne – të gjithë ne – të frymojmë të lirë, që të jemi zot të vetvetes”, ka thënë Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kushtetuta e Kosovës, është akti më i lartë juridik, që kurorëzoi pavarësinë e vendit. Ai shtoi se kjo ditë duhet të “jetë rikujtim i përkushtimit tonë për vlera evropiane”.

“Sot, të gjithë ne jemi në rrugë për të realizuar synimet tona. Do ta ushtrojmë sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës, por po ashtu, do të shfrytëzojmë këtë sovranitet për t’iu krijuar qytetarëve tanë jetë më të mirë dhe më të begatshme, të gjithë atyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, gjinore ose ndonjë përkatësi tjetër”, ka thënë Mustafa.

Kushtetuta, Kosovën e definon si një shtet qytetar, me shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, si dhe e definon Kosovën si një shtet laik.


Send this to a friend