VOAL

VOAL

Sveçla: Në veri zbulohet sasi e madhe armatimi

Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të madhe armatimi në veriun e Kosovës, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas tij, aksioni u krye në Zveçan – komunë në veri e banuar me shumicë serbe – ku u bastis një shtëpi, që sipas Sveçlës përdorej si “bazë për armatimin e veriut të Kosovës”.

“Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha Sveçla.

Ai tha se në aksionin e Policisë së Kosovës u gjetën armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë.

“Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”, tha Sveçla duke shtuar se “veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit”.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e rendit kryejnë aksione kundër kontrabandës në veri.

Rasti i fundit ishte në gusht, kur Policia e Kosovës kishte konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Përveç aksioneve kundër mallrave kontrabandë, autoritetet në të kaluarën kanë kryer aksione në veri edhe kundër kriptovalutave, mihja e të cilave është ilegale në Kosovë.

Situata në veri të Kosovës në fund të majit u tensionua, pasi banorët lokalë kundërshtuan kryetarët e rinj shqiptarë.

Kryetarët u zgjodhën në prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata serbe.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Pas rritjes së tensioneve, Kosova dhe Bashkimi Evropian në korrik u pajtuan për disa hapa drejt shtensionimit që përfshijnë uljen e pranisë së Policisë së Kosovës në veri dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në këtë zonë.

Pakica serbe në veri nuk do zgjedhje

Pavarësisht ultimatumit të BE-së një ditë më parë për mbajtjen sa më shpejt dhe pa parakushte të zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka disa kushte.

Gjatë një bashkëbisedimi për ‘KosovaPress’, ata thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.

Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme, por pasi të plotësohen të gjitha kushtet të cilat serbët ka kohë që po i kërkojnë. Ai përmendi krijimin e Asociacionit, tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu, si dhe lirimin e hapësirave komunale e arsimore, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

‘Ka kushte që së pari duhet plotësuar… Të tërhiqen të gjitha forcat policore, të lirohen hapësirat komunale dhe arsimore…Kusht është po ashtu formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili është nënshkruar para njëmbëdhjetë vitesh…Parakushte janë këto, ky është kushti për të nënshkruar peticionin’, tha Boshkoviq.

Edhe Lubomir Miljkoviq, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ai veç tjerash, ka përmendur lirimin e të gjithë të burgosurve serbë, si kusht për të dalë në zgjedhje.

‘Zgjedhjet duhet të mbahen, por duhet të plotësohen kushtet, të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të lirohen të arrestuarit’, tha ai.

Mileva Bashcareviq, po ashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe të kenë të drejta të barabarta. Ajo shtoi se serbët kërkojnë disa kushte tashmë të njohura, pa plotësimin e të cilave ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje.

Në anën tjetër, Emir Azemi, njohës i zhvillimeve politike nga veriu i Mitrovicës, ka bërë të ditur se për situatën në veri të vendit, duhet patjetër një marrëveshje politike mes palëve në proces, si dhe garanci e fortë nga ana e SHBA-së, për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Ai preferon dorëheqjen e kryetarëve si opsion më të lehtë dhe më të mirë, për shkak se, siç u shpreh, procesi i zgjedhjeve përmes peticionit, është shumë i komplikuar dhe i pamundur.

Azemi ka theksuar se nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e kryetarëve nga ana e 20 përqind të votuesve, që nënkupton fazën e parë të procesit, është i mundur dhe mund të realizohet. Mirëpo, siç tha ai, procesi do të komplikohet gjatë fazës së dytë, e cila përfshinë daljen e 50 përqind plus një të votuesve. Sipas tij, nëse në komunën e Mitrovicës Veriore janë 20 mijë votues në listën e votuesve, kjo nënkupton se duhet të dalin të nënshkruajnë 10 mijë plus një votues, gjë që është e pamundur.

Mitrovica e Veriut, shtoi ai, ka rreth 12 mijë banorë rezidentë, dhe nëse në fazën e dytë duhet të votojnë mbi 10 mijë qytetarë, atëherë do të jetë e pamundur ose do të duhej që një person të votojë shumë herë për të arritur pesëdhjetë plus njëshin dhe në këtë mënyrë do të lëndohej procesi zgjedhor.

Zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore të Kosovës përmenden si opsion për shtensionimin e situatës, pasi marrja e detyrës nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ka shkaktuar tensione e trazira që nga 26 maji e tutje, ndërsa në këto zgjedhje do të duhej të sigurohej pjesëmarrja e serbëve si votues, por edhe si kandidatë.

Kërcënoi me vrasje Albin Kurtin, arrestohet një person në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar sot një person me inicialet N.S, meqë ka ka kanosur me vrasje Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, raporton Express. Ai po dyshohet për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, ai fillimisht ka bërë një postim në Facebook me përmbajtje inkriminuese si dhe të njëjtën deklaratë e ka përsëritur në një emision televiziv.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, ka arrestuar sot të dyshuarin me inicialet N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ‘’Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës’’ nga neni 121 të KPRK-së. Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social “Facebook’’ me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit “DEBAT PLUS’’,  të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë”, thuhet në njoftim.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, saktësisht Nenit 128, kryerja e kësaj vepre dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.

“Kushdo që me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues apo sigurisë së Republikës së Kosovës, me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës, pengon një apo më shumë nga personat e saktësuar në nenin 126 të këtij Kodi në ushtrimin e detyrave zyrtare apo i detyron të kryejnë apo të mos kryejnë ndonjë veprim nga fushëveprimi i detyrave të tyre, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet”, parashihet me Kodin Penal.

Në Kosovë sot fillojnë `Ditët e Nënë Terezës`

Prishtinë- Ipeshkvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me ITSHKSH organizon Akademi Solemne në ditëlindjen e Shën Nënë Terezës.

Kjo akademi hap “Ditët e Nënë Terezës”, që do të zgjasin deri më 5 shtator 2023, në ditëfestën liturgjike të saj.

Shën Nënë Tereza vdiq më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, ndërsa me veprën e saj la gjurmë në gjithë botën. Ajo u nderua me çmimin Nobel për Paqe.

Policët serbë pa mbështetjen e Beogradit dhe pa mbrojtjen e Prishtinës

Sandra Cvetkoviq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, beson se prapa dorëheqjeve të fundit të policëve serbë në veri qëndron “frikësimi nga regjimi aktual serb” dhe shton se Prishtina zyrtare duhet “t’i inkurajojë” të gjithë ata që vërtet duan të integrohen.

“Institucionet e Kosovës duhet të tregojnë vullnet të mirë, anën e mirë të institucioneve të Kosovës, për t’i inkurajuar bashkëqytetarët tanë, në këtë rast policët e rinj të Kosovës. Se ky është një vend ku ata mund të ndërtojnë karrierë dhe se institucionet do t’i mbështesin në çdo zhvillim të tyre të mëtejshëm”, thotë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Së paku shtatë policë serbë dhanë dorëheqje në ditët e fundit, për ç’gjë zyrtarët e Kosovës fajësuan Beogradin zyrtar.

Ata ishin në mesin e 46 pjesëtarëve të komunitetit serb që iu bashkuan Policisë së Kosovës në fund të korrikut, pas një konkursi për plotësimin e pozitave boshe në drejtorinë për rajonin e veriut.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut nuk e dha numrin e saktë të policëve që u tërhoqën, duke thënë se nuk e komenton këtë çështje.

Diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë u shprehën të shqetësuar nga dorëheqjet.

Por, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se, në këtë moment, nuk mjafton vetëm mbrojtja “deklarative” e policëve serbë, por se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrin hapa konkretë.

Midorag Marinkoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Afirmative Sociale, konsideron se dorëheqjet e policëve serbë janë “një reflektim i presionit të shoqërisë për të mos u dorëzuar ndaj Prishtinës”.

Rashiq: E njoh “metodologjinë” e Beogradit

Rashiq thotë se serbët nga Kosova kanë qenë gjithmonë “të lidhur” me Beogradin zyrtar, por se Qeveria aktuale e Serbisë, shton ai, përdor “metoda të frikësimit dhe presionit” për të realizuar qëllimet e saj.

“Mund t’ju them se nuk ka bashkëpunëtorë të mi që nuk e kalojnë një luftë psikologjike sa herë që e kalojnë kufirin [me Serbinë], ku mbahen disa orë – pa asnjë shpjegim, vetëm pse janë bashkëpunëtorët e mi”, thotë Rashiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq.

Në këtë kontekst, ai thotë se e njeh “metodologjinë” që aplikohet ndaj policëve të rinj serbë.

“Kam kontakte me disa prej tyre, komunikojmë dhe ata ende i dridh pasiguria se çfarë do të ndodhë me ato presione. Fatkeqësisht, viktima janë edhe familjet e tyre. Ato presione nuk ndalen, janë të vazhdueshme dhe do të shohim se deri ku do të na çojnë”, thotë Rashiq.

Megjithatë, ai thekson se serbët nga Kosova duhet ta kuptojnë se vetëm përmes pjesëmarrjes në institucione, mund të ndikojnë në “ndryshime pozitive” për komunitetin e tyre.

Rashiq u emërua në postin e ministrit për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pasi Goran Rakiq dha dorëheqje, së bashku me serbë të tjerë nga veriu, në nëntor të vitit të kaluar.

Rakiq vjen nga radhët e Listës Serbe – e vetmja parti që kishte mbështetjen e Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e quajti Rashiqin “llum”, pasi u emërua ministër në Qeverinë e Kurtit.

Çka i parapriu dorëheqjes së policëve serbë?

Pasi u njoftua në opinion se policët e rinj serbë kanë filluar të punojnë në veri, në rrjetet sociale filluan të qarkullojnë postime që i quanin ata “tradhtarë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha më pas se ky lloj shënjestrimi nuk është i pranueshëm për Qeverinë e tij, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se “fushata e frikësimit duhet të ndalet” dhe se “autorët duhet të sillen para drejtësisë”.

Diplomatë të huaj thanë, po ashtu, se kërcënimet janë të papranueshme.

Megjithatë, disa ditë më vonë, ndodhën dorëheqjet e para të policëve nga radhët e komunitetit serb.

Dhe, pasuan sërish reagimet e zyrtarëve dhe të ambasadorëve të huaj në Kosovë.

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu, gjithashtu, shqetësim për dorëheqjet e fundit dhe vlerësoi se “është e papranueshme që dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t’i bashkohen Policisë së Kosovës”.

Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, ky departament tha se dënon çdo përpjekje “për të minuar diversitetin në radhët e Policisë së Kosovës”.

Institucionet heshtin për mbrojtjen e mundshme të policëve serbë

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen se çfarë kanë dhënë policët serbë si arsye për dorëheqje, por nuk mori përgjigje.

Ajo nuk iu përgjigj as pyetjeve se çfarë mund të bëjë Kosova për t’i mbrojtur ata dhe a mund t’i pengojë policët e tjerë nga aktet e tilla.

Në nëntor të vitit të kaluar, mbi 550 policë serbë dhanë dorëheqje, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Që atëherë, në veriun me shumicë serbe ka pasur një varg krizash.

Tensionet e fundit u ngritën në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje morën pushtetin, pasi serbët lokalë i bojkotuan zgjedhjet e prillit.

Ibishi: Mbrojtja “deklarative” nuk mjafton

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë se bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa konkretë për mbrojtjen e policëve serbë dhe se mbrojtja “deklarative” nuk mjafton.

“Komuniteti evropian duhet të marrë masa ndaj lidershipit të Serbisë, në atë mënyrë që ajo të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës, veçanërisht kur bëhet fjalë për marrëveshjet e Brukselit [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi]”, thotë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.

Për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës u ra dakord në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja.

Ibishi, gjithashtu, thekson se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa mbrojtëse për policët serbë.

“Është obligim, para së gjithash, i sistemit në Kosovë, por edhe i pranisë ndërkombëtare që t’i mbrojë ata personalisht dhe materialisht nga individët që ushtrojnë presion dhe bëjnë thirrje për linçim, për shkak të vendosmërisë së tyre për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve”, thotë Ibishi.

Marinkoviq: Dorëheqjet janë rezultat i “presionit shoqëror”

Midorag Marinkoviq, nga Qendra për Veprime Afirmative Sociale, thotë se Qeveria e Kosovës vazhdimisht po përpiqet t’i “anashkalojë” problemet në terren dhe shton se serbët nga veriu po “luftojnë kundër saj”.

Në këtë kontekst, ai thekson se dorëheqjet e policëve serbë janë “pasojë e presionit shoqëror”.

“E vetmja mënyrë që Prishtina ta parandalojë këtë lloj reagimi nga komuniteti [serb], është që ta dëgjojë atë dhe të gjejë një zgjidhje që është në interes të atij komuniteti”, thotë Marinkoviq.

E vetmja mënyrë që të mos përsëriten gjëra të tilla, shton ai, është që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje, në bazë të së cilës serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës.

Përveç policëve, në nëntor të vitit të kaluar, nga institucionet e Kosovës në veri u larguan edhe punëtorët serbë të Doganës së Kosovës, gjyqësorit dhe administratës lokale.

Përgatiti: Valona Tela

Skandali me rezervat shtetërore në Kosovë: Zyrtari i arrestuar del anëtar i LDK-së

Prishtinë – Që nga mëngjesi, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.

Fillimisht bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal të tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.

Në Polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica. Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e ministrisët.

Sipas burimeve të Kosova Post, i arrestuari Hafiz Gara është anëtar i partisë së LDK-së. “Përkundrazi, qytetarët e Prishtinëe e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë LDK-së”.

Fotografia e Gara publikuar nëpër media para zyreve të LDK-së, është fotografi gjatë fushatës zgjedhore, pra, është e lidhur me aktivitetet partiake.

Kosovë: Arrestohen dy zyrtarë qeveritarë dhe një afarist nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore

VOA

Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha sot se janë arrestuar tre persona nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria i ka identifikuar personat me iniciale dhe nuk ka dhënë hollësi për shkeljet që kanë kryer.

Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë tha se dy nga të arrestuarit janë Hafiz Gara, drejtor për Rezervat Shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Irfan Lipovica, drejtor në Departamentin për Integrim Evropian, i cili më parë ishte sekretar në këtë ministri. I arrestuari i tretë sipas medias lokale është afaristi Ridvan Muharremi.

Operacioni i sotëm pasoi publikimin e disa audio-regjistrimeve nga portali “Nacionale”, në të cilat dëgjohen dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, të cilët gjatë një bisede pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas regjistrimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha përmes një komunikate se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore edhe pse shprehet “e bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to”.

Sipas ministrisë, për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku. “Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast”, thuhet në reagim.

Ministria tha se “pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Kosovës, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”.

Arrestimet e sotme, nxitën reagimin e opozitës e cila kërkon përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë.

Partia Demokratike e Kosovës tha sot se përgjegjësia politike, publike dhe penale bie mbi ministren e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë Rozeta Hajdari. Betim Gjoshi nga ky subjekt kërkoi shkarkimin nga detyra e ministres Hajdari, për t’i hapur siç tha rrugë një hetimi të lirë, të pavarur dhe të pandikuar politikisht.

“Prandaj, shkarkim dhe hetim për ministren Hajdari, nën udhëheqjen e së cilës po vërtetohet, ashtu siç kemi denoncuar disa here ne si parti, se ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në vend”, tha ai.

Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se dorëheqja e ministres Rozeta Hajdari nuk mjafton por duhet të jap përgjegjësi para organeve të rendit.

“Gjitha faktet e publikuara deri tani na bëjnë të besojmë që në aferën e rezervave shtetërore kemi përfshirje të niveleve më të larta të kësaj qeverie, po flas për nivelin më të lartë politik. Prandaj edhe hetimi duhet të mos ndalet tek zyrtarët dhe sekseri Ridvani por duhet të përfshijë të gjitha nivelet e qeverisjes. Dorëheqja e ministres nuk mjafton, e njëjta duhet të largohet nga ai vend dhe të jap përgjegjësi para organeve të rendit”, tha zoti Rukiqi.

Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj. janë pjesë e rezervave shtetërore që mund të përdoren në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e fatkeqësive natyrore, luftërave apo dhe në rast kizash kur këtë artikuj mungojnë në treg.

Policia e Kosovës konfiskon mbi 1.200 fishekë në një fshat të Zveçanit

Municioni i konfiskuar nga Policia e Kosovës në veri.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të hënën i ka konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Zveçani, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë komuna të banuara me shumicë serbe në veri të vendit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se kjo sasi e dyshimtë është konfiskuar nga Njësia e saj për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimeve në atë zonë.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në Zveçan, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë, derisa kjo e fundit ka thënë të ketë qenë duke e luftuar kontrabandën.

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë atë ditë se i ka konfiskuar tri makina dhe një kamion, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Javën e kaluar Policia e ka gjetur në Mitrovicë të Veriut edhe një laborator droge, në të cilin ka pasur pajisje për mihje të kriptovalutave.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta sidomos në maj dhe qershor të këtij viti.

Serbët lokalë e kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.

Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.

Pas shumë thirrjeve të faktorit ndërkombëtar, Qeveria e Kosovës ka arritur marrëveshje me Bashkimin Evropian për një plan shtensionimi që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja për komunat veriore.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Rashiq: “Heqja e ndalesës për mallrat serbe në këmbim të shfuqizimit të masave nga BE-ja”

Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Sandra Cvetkoviq

Qeveria e Kosovës në periudhën e ardhshme do të duhej të anulonte vendimin për ndalimin e importit të mallrave të prodhuara në Serbi, por pret që edhe Bashkimi Evropian t’i anulojë masat ndëshkuese ndaj Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL), ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Siç shpjegon ai, anulimin e vendimit për ndalimin e importit të mallrave serbe ia kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përveç tij edhe “disa diplomatë ndërkombëtarë”. Sipas Rashiqit, përgjigja e Kurtit ka qenë se ai, si kryeministër, dëshiron shtensionimin e plotë, por “që Bashkimi Evropian duhet të tregojë njëfarë mirëkuptimi”.

“Është një nga hapat e parë që do të ndjekim. Se a do të përfshihet së bashku në paketë [heqja e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia dhe masat e BE-së ndaj Kosovës], nuk mund t’ju them tani, por është sigurisht gjëja e parë që do të jetë në agjendën tonë”, thotë Rashiq.

Megjithatë, ai nuk specifikoi datën e saktë apo në çfarë afati kohor duhet të merren këto vendime.

Qeveria e Kosovës më 14 qershor ka ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye “sigurie”. Ky vendim ishte një përgjigje ndaj arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, të cilët që atëherë janë liruar për t’u mbrojtur. Ndërkohë, lejohet hyrja e kamionëve me targa të Serbisë, por jo edhe qarkullimi i mallrave serbe.

Dy muaj më vonë, një nga rezultatet e këtij vendimi është se pothuajse nuk ka produkte nga Serbia në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, për çka shkroi REL në fund të korrikut.

Siç thonë banorët e Mitrovicës së Veriut dhe disa nga biznesmenët, për shkak të mungesës, ata i zëvendësuan produktet serbe “kundër vullnetit të tyre” me ato nga vendet e rajonit.

Nga ana tjetër, në fund të qershorit, BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës, sepse nuk i ndërmori hapat e duhur për të qetësuar tensionet në veri të Kosovës. Disa nga masat e marra ndaj Kosovë janë pezullimi i përkohshëm i punës së të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe pezullimi i ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet e nivelit të lartë.

Më pas, më 10 korrik, Kosova arriti një marrëveshje me BE-në për shtensionimin e situatës në veri dhe deri më tani ka ndërmarrë disa hapa në këtë drejtim.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë e kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan në dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Rashiq: Interesat strategjike bëjnë të mundur që të gjithë të fitojnë

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vlerëson se procesi i deeskalimit të situatës në veri të Kosovës po shkon në drejtimin e duhur dhe se në këtë moment “të gjithë duhet të jenë të durueshëm, tolerantë dhe të arsyeshëm”.

Ai thekson se anulimi i vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia do të bëhet me qëllim të shtensionimit të mëtutjeshëm, por rithekson se Kosova “duhet të marrë diçka”.

“Ju e dini si është në politikë, ju jepni diçka, ne japim diçka. Këto janë interesa strategjike që i lejojnë të dyja palët të fitojnë dhe nuk kam asnjë problem me këtë, sepse vetë diplomacia do të thotë të ‘tolerosh’ palën tjetër për të marrë vendime të arsyeshme”, thekson Rashiq.

Bashkimi Evropian nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrtohet heqja e masave ndaj Kosovës.

Burime diplomatike të REL-it në BE kanë thënë më herët se heqja e masave ndëshkuese do të varet nga zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve që ka marrë Prishtina.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi më 10 gusht se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë më shumë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri dhe se blloku evropian është i gatshëm të marrë masa kundër Serbisë nëse nuk bashkëpunon për këtë çështje.

Ai nënvizoi se masat e BE-së varen nga mënyra se si Prishtina dhe Beogradi i qasen shtensionimit dhe kthimit në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.

Ambasada e SHBA-së: Shmangni veprimet që çojnë në përshkallëzim

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Kosovë thekson se Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa për të promovuar qarkullimin e lirë ndërkufitar të mallrave dhe jo të ndërmarrin veprime që do ta pengonin atë.

“U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të de-përshkallëzojnë tensionet, të shmangin veprimet që mund të interpretohen si përshkallëzuese dhe t’i kthehen menjëherë dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve] të udhëhequr nga BE-ja. Presim që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre nga Marrëveshja e Ohrit”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Aty shtohet se ky qëndrim i SHBA-së i është përcjellë kryeministrit Kurti dhe nga sekretari i shtetit, Antony Blinken, më 26 qershor.

Që nga fundi i majit, SHBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore i kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i kthehen dialogut pas tensioneve të shtuara në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Në mars të këtij viti, të dyja palët ranë dakord në Ohër për zbatimin e disa pikave nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve bazuar në propozimin e Bashkimit Evropian. Ajo marrëveshje duhet të zgjidhë një numër të madh çështjesh të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndalimi i importit të mallrave nga pikëpamja e biznesmenëve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se vendimi i Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia “e ka përmbushur qëllimin e tij” dhe shton se të dyja palët tani duhet të punojnë për tejkalimin e mosmarrëveshjeve.

Ai tregon se përveç Serbisë, dëme pësojnë edhe biznesmenët kosovarë që importojnë lëndë të parë nga ky vend.

“Sipas vlerësimit tonë [Aleanca për Biznesin Kosovar], Serbia ka humbur rreth 60 milionë euro për shkak të ndalimit të eksporteve në Kosovë, po ashtu edhe Kosova ka humbur disa milionë euro në eksport për shkak të mungesës së lëndëve të para [të cilat i importon nga Serbia]”, bën të ditur Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se Aleanca e tij për Biznesin e Kosovës po përpiqet t’i “bindë” të dyja qeveritë që të sigurojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe njerëzve.

Sasha Sekuliq nga Shoqata e Biznesmenëve Serbë në Kosovë thekson se kjo nuk është hera e parë që Prishtina zyrtare “sanksionon” mallrat nga Serbia dhe shton se në shekullin XXI “është diçka që s’mund ta marrësh me mend që të mos ketë qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve”.

“Dikush që aspiron të jetë anëtar i BE-së, nga ana tjetër, ndalon qarkullimin e mallrave. Ndalimi i importit të mallrave dhe Bashkimi Evropian nuk shkojnë bashkë”, vlerëson ky biznesmen.

Ai beson se ndalimi i importit të mallrave me origjinë nga Serbia prek kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, por thekson se dëme kanë pësuar edhe biznesmenët shqiptarë.

“Artikujt ndërrohen, por janë më të shtrenjtë. Sot çmimi i transportit ndikon shumë në çmimin e produktit dhe nuk mund të jetë i njëjti çmim i mallrave që vijnë, për shembull, nga Pozharevaci [qytet në Serbi] dhe Polonia apo Turqia”, thotë Sekuliq për REL-in.

Vendimet politike dhe pasojat ekonomike

Shahini dhe Sekuliqi pajtohen se situata e paqëndrueshme politike ndikon negativisht në ekonomi dhe shtojnë se është koha që biznesmenëve t’u lehtësohet puna.

Në këtë kontekst, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se “politika po shkatërron ekonominë” në vendet e rajonit dhe nënvizon se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve sa më parë.

“Po e mbajnë popullin nën tension të panevojshëm, tensionet po e shkatërrojnë rrugën e integrimit dhe të investimeve. Tensionet nuk i kanë sjellë askujt të mira, as neve e as Serbisë”, thotë ai.

Sekuliq, po ashtu, thekson se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka vite që po vazhdon, por marrëdhëniet në terren ende nuk janë të relaksuara, prandaj edhe atmosfera për biznes nuk është e mirë.

“Në vend që t’u lejojmë biznesmenëve dhe qytetarëve një qarkullim më të lehtë të mallrave, si dhe njerëzve, ne kemi ndalime”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershor të vitit 2022, Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerë prej afro 34 milionë eurosh.

Të dhënat e qershorit të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve serbe, përkatësisht vlera e mallrave të importuara nga Serbia është rreth 13 milionë euro.

 

Jep dorëheqje ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj

VOA

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij duke e arsyetuar atë me “shkaqe familjare”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranoi dorëheqjen e tij duke e falënderuar “për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.

Armend Mehaj, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.

Ministri Mehaj shkroi po ashtu në një postim më të gjatë në rrjetet sociale se ka dhënë dorëheqje për “shkaqe familjare”.

Kryeministri Kurti tha se ka emëruar në postin e ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedoncin, një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas si shef i departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ish-pjesëtar i UÇK-së, kush është ministri i ri i Mbrojtjes në Kosovë

Koloneli Ejup Maqedonci u emërua këtë të martë si ministër i Mbrojtjes në Republikën e Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.

Emërimi i tij në ministrinë e rëndësishme në Kosovë erdhi pas dorëheqjes së ish-ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj.

Maqedonci ka qenë pjesë e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe doli në pension të parakohshëm në korrik të këtij viti. Ai ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) dhe ka shërbyer për një dekadë si komandant i batalionit për kërkim-shpëtim.

Maqedonci më pas ka vazhduar detyrën e shefit të departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së.

Pas pensionimit, Mehaj i ndau Maqedoncit “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

Sakaq, ish-ministri Armend Mehaj iu bashkua kabinetit të kryeministrit Kurti nga Norvegjia, për të drejtuar ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës./ dita

Aksion kundër drogës në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka kryer një aksion kundër drogës në një banesë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut.

Zëvendësdrejtori rajonal për veriun, Veton Elshani, tha se gjatë aksionit janë konfiskuar edhe armë.

“Banesa është shfrytëzuar nga S.M. [shtetas i Kosovës i nacionalitetit serb] janë gjetur dhe konfiskuar 60 kartela grafike, makina anti-miner S9, 13 ventilatorë, poça elektrik që shfrytëzohen për rritjen e bimëve të kanabisit, llambë elektrike për laborator, 51 fishekë, tetë shok-bomba të modifikuara”, tha Elshani për Radion Evropa e Lirë.

Ekipit të REL-it nuk i është lejuar që t’i afrohet ndërtesës ku po kryet aksioni. Gazetarëve të REL-it u është thënë se bëhet fjalë për një banesë private.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës kryen aksione kundër drogës, apo kundër kriptovalutave në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Në shkurt të këtij viti policia zbuloi tre laboratorë droge në Mitrovicë të Veriut.

Po ashtu, në maj të vitit të kaluar, policia kishte shkatërruar dy laboratorë droge në Izvor, afër kufirit me Serbinë, ku ishin gjetur edhe sasi të mëdha të bimëve narkotike, të llojit marihuanë. Në prill të atij viti, ishte shkatërruar një laborator droge në Zveçan dhe ishin arrestuar katër serbë.

Autoritetet e rendit gjithashtu kanë kryer disa aksione në Kosovë – përfshirë në veri – kundër mihjes së kriptovalutave.REL

Kosova bëhet shteti me nivelin më të ulët të borxhit shtetëror në Evropë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se është arritur që të ndryshohet trendi i borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë

Ai ka shkruar se kjo është bërë falë disiplinës fiskale dhe mirëmenaxhimit të parasë publike.

Kjo, sipas Muratit, ndiko që të mbahet nën kontroll kostoja e kamatavee dhe mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja.

“Falë disiplinës fiskale e mirëmenaxhimit të parasë publike, kemi arritur që të ndryshojmë trendin e borxhit shtetëror duke e kthyer sërish në nivele të para-pandemisë. Një konsolidim i tillë është vlerësuar lart edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ky konsolidim së pari e mban nën kontroll koston e kamatave, sepse sa më pak borxh aq më pak pagesë e kamatave, dhe së dyti na mundëson kushte më të favorshme financimi për huamarrjet e reja në krahasim me të tjerët, sepse kemi dëshmuar qëndrueshmëri dhe mirëshpenzim të parasë publike”, ka shkruar Murati.

‘Të gjithë me precedentë’- Prokuroria reagon për masakrën mes të ‘fortëve’ në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbuluar detaje në lidhje me konfliktin e armatosur që ndodhi në orët e para të së shtunës në një lokal nate në kryeqytetin e Prishtinës.

Sipas prokurorisë, nga përplasja e armatosur midis disa personave Si pasojë e plagëve të marra nga armët e zjarrit, ka humbur jetën në spital Kastriot Ramadani 37-vjeç, si dhe janë plagosur shtatë persona të tjerë.

Sakaq ndihmë mjekësore kanë kërkuar dhe 13 persona të tjerë të cilët kanë pësuar lëndime trupore thyerja e xhamave ose goditjet me objekte.

“Më datën 04.08.2023 në orët e mbrëmjes, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar nga ana e Policisë së Kosovës, që në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë respektivisht në lokalin ‘Bon Vivant’, ka të shtëna me armë zjarri. Me të marrë informacionin, prokurori i shtetit bashkë me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ka konstatuar se si pasojë e të shtënave ka persona të plagosur

Është konstatuar se nga arma e zjarrit kanë rezultuar të plagosur 7 persona, ku njëri nga ta si pasojë nga plagët e marra ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ndërsa 13 persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo nga gjësendet tjera. Të gjithë kanë kërkuar ndihmë mjekësore”, thuhet në komunikatën e prokurorisë për media.

Gjithashtu bëhet me dije se një prej personave si i dyshuar për vrasje ndodhet në arrati, ndërkohë që të gjithë personat e përfshirë raportohet se kanë të shkuar kriminale.

“Prokurori, rastin në fjalë e ka cilësuar ‘Vrasje të rëndë’ neni 173, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ neni 366 dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’ neni 187 i Kodit Penal të Kosovës”, njofton prokuroria.

Të dyshuar për vrasjen e 39 vjeçarit Kastriot Ramadani, janë Dukagjin Nikollaj, një person me precedentë penal në fushën e trafikut të drogës, i shpallur në kërkim dhe nga FBI.

Të dyshuarit e tjerë janë Andi Pajaziti, i cili ndodhet i arrestuar në spital, si dhe Hysni Geci dhe Gëzim Zakuti, po ashtu të arrestuar.

Presidentja Osmani: Djegia e shtëpisë së Joziqit, akt i papranueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite te shtëpia e djegur e serbit të kthyer Svetisllav Joziq, Istog, 5 gusht, 2023.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur “akt të papranueshëm” djegien e shtëpisë së Svetisllav Joziqit në një fshat të Istogut, pas një vizite më 5 gusht.

Të shtunën, Osmani e vizitoi shtëpinë serbit të kthyer të Kosovës, e cila u dogj nga persona të panjohur më 10 korrik, duke e cilësuar atë “vepër kundër Republikës sonë”.

“Istogu ka qenë gjithmonë një shembull shndritës i gjithëpërfshirjes që e ka mbërthyer forcën e diversitetit. Djegia e shtëpisë së familjes Joziqi është vepër e papranueshme. Derisa ne po ua rindërtojmë shtëpinë atyre, jemi të përkushtuar të sigurohemi se ata do të ndihen të sigurt”, shkroi presidentja Osmani në rrjetin social X, i njohur dikur si Twitter.

Më 7 korrik të këtij viti, Joziq mori çelësat e një shtëpie të sapondërtuar në fshatin e tij të lindjes, Veriq, në territorin e komunës së Istogut. Vetëm tri ditë më vonë, ai u njoftua se autorë të panjohur ia kishin vënë zjarrin.

Svetisllav Joziq është i pari serb i kthyer në fshatin Veriq të komunës së Istogut, rreth 80 kilometra nga Prishtina.

Lajmi për djegien e gjeti atë në Jagodinë, një qytet në Serbi ku ai jeton i zhvendosur për më shumë se dy dekada.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (REL) pas incidentit, ai sqaroi se pas dorëzimit të çelësave të shtëpisë së tij ishte kthyer në Serbi me marrëveshje me përfaqësuesit e Komunës së Istogut dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM), për shkak se mobilimi i saj nuk ishte kryer.

Ai nuk e di se kush mund ta ketë bërë këtë dhe pse, por është i sigurt se nuk është dikush nga fshati i tij.

“Ata (fqinjët) gjithashtu raportuan në polici në Istog. Fqinjët e mi flasim më të mirën për mua. Të gjithë më njohin, kam punuar atje. Ata, gjithashtu, thanë që tani duhet të rinovohet gjithçka, dyert dhe dritaret”, tregon Joziq, duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga kthimi.

Dyshime për krime lufte, arrestohen 2 persona në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës i ka arrestuar dy persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në dy operacioneve të ndara në dy ditët e fundit.

I dyshuari me inicialet Ž.Z., u arrestua të shtunën në mesditë në fshatin Lubozhadë në Istog, njoftoi Policia e Kosovës në një komunikatë për media më 5 gusht.

Ai dyshohet për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Komunën e Istogut.

“Gjatë kohës së luftës në Kosovë në vitin 1998-1999 ka pasur pozitën e komandantit të Nën Stacionit Policor në fshatin Rakosh të Komunës Istogut. I njëjti është sjell në zyrat e DHKL-së ku pritet të intervistohet në cilësi të dyshuarit në prezencë të avokatit mbrojtës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Arrestimi i 69-vjeçarit të shtunën vjen vetëm një ditë pasi hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës e prangosën një të dyshuar tjetër të premten në pikën kufitare në Merdare.

“Këto hetime kanë qenë të përqendruara rreth zbulimit të autorëve të krimeve të kryera në periudhën 1998-1999 në rajonin e komunës së Istogut. Në vazhdën e angazhimeve hetimore është arritur të mblidhen dëshmi dhe prova për krimet dhe kryesit e këtyre veprave penale”, thuhej në njoftimin e Policisë të premten.

Policia tha se hetuesit policorë kanë pranuar dhe përpunuar informata të shumta operative në drejtim të identifikimit, vendndodhjes dhe lokalizimit të të dyshuarit, aktivitetit dhe lëvizjeve të tij, në dhe jashtë territorit të Kosovës, para se ta arrestonin të dyshuarin me inicialet M.P., në pikën kufitare me Serbinë.

“Nga bashkërendimi i aktiviteteve është bërë e mundur të identifikohet një i dyshuar për krime lufte, i cili në kohën e luftës 1998-1999 ishte krye-shef i milicisë në Istog. I dyshuari M.P… me aktvendim nga prokurori i njëjti është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.”

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj arrestimit të M.P., duke e kundërshtuar vendimin e autoriteteve kosovare.

Ai e zbuloi identitetin e të arrestuarit të parë, duke e emëruar si Momir Pantiq, dhe tha se “dje, ai duhej t’i merrte dokumentet në lidhje me pronën e tij në Istog, por në vend të kësaj u arrestua dhe u dërgua në Prishtinë”.

Pantiq besohet se pas luftës është zhvendosur nga Istogu dhe ka jetuar në Mladenovac të Serbisë.

“Prishtina i arreston serbët nën pretekstin për krime lufte dhe i paragjykon ata, duke u dërguar atyre mesazh të qartë se as nuk janë të mirëseardhur e as të dëshiruar në vatrat e veta shekullore”, tha Petkoviq./ REL

Ministri Sveçla njofton për krijimin e një task-force, pas vrasjes në Prishtinë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi të shtunën se do të krijohet një task-forcë e re për hetimin e krimeve të rënda, pas vrasjes së një personi dhe plagosjes së disa të tjerëve më 4 gusht në qendër të Prishtinës.

Një 39-vjeçar mbeti i vdekur dhe 17 persona u lënduan gjatë një përleshjeje me armë zjarri në qendër të Prishtinës të premten pak para mesnatës.

“Ministria e Brendshme në kuadër të strategjisë kundër krimit të organizuar do të inicojë themelimin e një taskforce për hetimin e thellë, jo vetëm të këtij rasti, por edhe të rasteve të tjera të ngjashme”, shkroi Sveçla në një reagim në Facebook më 5 gusht.

Incidenti i 4 gushtit ndodhi në lokalin “Bon Vivant” në qendër të kryeqytetit, dhe sipas policisë, erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa burrave.

Svelça njoftoi se “palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale”, duke e fajësuar sistemin e drejtësisë se po i lë të lirë të dyshuarit për vepra të rënda.

“Edhe sot humbëm një jetë nga dora e kriminelëve të cilët, për arsye të dështimeve të drejtësisë, kanë qenë të lirë”, shkroi ai.

“Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme”.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) konfirmoi vdekjen e një burri 39-vjeçar, si pasojë e plagëve të rënda.

“Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror”, njoftoi SHSKUK.

Të gjithë të plagosurit e tjerë nga ky incident janë jashtë rrezikut për jetë, tha SHSKUK.

Sipas policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) dhe me vendim të prokurorit ndalohen nën përkujdesje të policisë.

SHSKUK njoftoi se pesë persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë.

Prej tyre, katër janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare.

Sveçla reagoi edhe për dënimin me burgim të përjetshëm të Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Si dhe të Arbër Sejdiut, i cili u dënua me 15 vjet burgim për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

“Dje, dy kriminelë morën dënimet e merituara, njëri ndër ta me burgim të përjetshëm. Megjithë dënimin kapital, nuk mund të themi se drejtësia është shërbyer”, theksoi ai.

Ai nënvizoi sesi Dardan Krivaqa nuk ishte ndëshkuar asnjëherë edhe pse kishte 135 veprat penale të mëhershme.

“Nëse drejtësia do të kishte reaguar në kohën e duhur, Marigona do të ishte gjallë.”REL

Kosovë: Arrestohet një i dyshuar për krime lufte

VOA

Policia e Kosovës tha të premten se ka arrestuar një qytetar serb nën dyshimet për përfshirje në krime lufte gjatë viteve 1998-1999.

Në një njoftim të policisë thuhet se M.P. u arrestua mbrëmjen e së premtes në Merdar, vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në periudhën e luftës në Kosovë, sipas njoftimit të policisë, ai shërbente si kryeshef i policisë serbe në komunën e Istogut, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Policia tha se të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, por nuk dha më shumë hollësi për identitetin e as veprat për të cilat është i dyshuar.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe mbi 5 mijë llogariteshin të zhdukur në fund të luftës në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e forcave të NATO-s, që u dhanë fund mizorive të forcave serbe.

Nëntë vjet pas luftës Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore euro-perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi i mbështetur nga Moska.

Ngrihet aktakuzë kundër tre personave që sulmuan gazetarin Valon Syla

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të premten aktakuzë kundër tre të pandehurve me inicialet L.D, K.H dhe O.H., pasi ata dyshohet se të motivuar me ideologji ekstreme radikale islame, e kanë sulmuar fizikisht gazetarin Valon Syla më 11 prill të këtij viti.

Ata akuzohen për bashkëkryerje të veprës penale, “lëndim i lehtë trupor”.

Valon Syla është sulmuar në lagjen në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, pak pasi ka dalë nga një studio televizive.

Vetë Syla pati thënë në llogarinë e tij në Facebook se është sulmuar për shkak të disa postimeve kritikuese për disa udhëheqës fetarë.

Sulmi fizik ndaj gazetarit Syla e ka çuar në dhjetë numrin e rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve që ka regjistruar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) këtë vit.

Në raportin për vitin 2022, organizata Gazetarët Pa Kufij e ka radhitur Kosovën në mesin e vendeve problametike sa u përket lirisë së mediave.

Megjithatë, në krahasim me vitin 2021, Kosova ka shënuar përparim.

Në indeksin që përfshin 180 vende, Kosova radhitet në vendin e 56-të – një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin paraprak. rel

Dardan Krivaqa dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit

Protestë kundër dhunës ndaj grave, në Ferizaj, më 4 gusht 2023.

Shkelqim Hysenaj

Gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit, të premten, më 4 gusht, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një sërë veprash penale, përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit, si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale, si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është duke lëvizur aty pari.

Që të dy akuzohen, po ashtu, se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Çfarë u kërkua në fjalën përfundimtare?

Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.

Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.

Ndërsa, avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

Protesta para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për rastin e Marigona Osmanit, 4 gusht 2023.

Protesta para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për rastin e Marigona Osmanit, 4 gusht 2023.

Rexhepi tha se të akuzuarve duhet t’iu jepet dënim maksimal në mënyrë që këto raste të mos përsëriten kurrë më në Kosovë.

Avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, Admir Salihu, tha se gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha elementet dhe rrethanat, pasi siç tha ai, “është provuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.

Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Kërkohet dënim maksimal

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një protestë para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për këtë rast.

“Prej vendimit të sotëm presim dënim maksimal, pavarësisht se jemi goxha skepktike, duke u bazuar në atë që gjykatat në të kaluarën kanë treguar se japin vendime shumë të ulëta për kryerësit e veprave, sidomos kur bëhet fjalë për dhunën gjinore dhe dhunimet”, tha një pjesëtare e kësaj organizate.

Protesta e mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Ferizaj 4 gusht 2023.

Protesta e mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Ferizaj 4 gusht 2023.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha, po ashtu, para organizimit, se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa me ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmanit derisa ajo vdiq.

“Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot, nëse shteti do ta mbronte me kohë atë”, u tha në reagim.

Me gjithë provat e paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Vrasjen e kreu bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

Përfundon tërheqja e 25 përqind të policëve nga ndërtesat komunale në veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka përfunduar reduktimi i mëtejshëm i forcave policore nga ndërtesat komunale në veri, në masën prej 25 përqind, sipas marrëveshjes së arritur në Bratislavë mes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“U kry tërheqja”, ka thënë shkurtimisht Elshani.

Më 10 korrik në Bratislavë, kryenegociatori Besnik Bislimi dhe emisari i BE-së Miroslav Lajçak u dakorduan për katër hapat që do të ndiqen për t’u ulur tensionet në Veri. Hapi i parë dhe i dytë kanë të bëjnë me reduktimin e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale.

Të akuzuarit për vrasjen e Marigona Osmanit sot në pritje të vendimit

Një protestë në Prishtinë në gusht të vitit 2021, pas vrasjes së Marigona Osmanit.

 

Shkelqim Hysenaj

Gati dy vjet pas vrasjes së Marigona Osmanit, të premten, më 4 gusht, në Gjykatën Themelore të Ferizajt do të shpallet aktgjykimi ndaj dy të dyshuarve kryesorë për vrasjen e saj, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiut.

Marigona Osmani ishte 18-vjeçare kur u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.

Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa dyshohet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen për një serë veprash penale përfshirë atë të dhunimit, ndihmës në kryerjen e dhunimit si dhe vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Aktakuza thotë se Sejdiu, me dashje kishte ndihmuar Krivaqën në kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Ai akuzohet se edhe pse ishte në dijeni se Krivaqa po kryente aktin e dhunimit, me dashje kishte marrë veprime në lehtësimin e kryerjes së kësaj vepre penale si dhe vazhdimisht kishte vëzhguar nëse ndonjë banor është dukë lëvizur aty pari.

Që të dy akuzohen po ashtu se kanë tentuar të fshehin gjurmët e krimit, duke tentuar të fshehin pamjet e kamerave të sigurisë.

Çfarë u kërkua në fjalën përfundimtare?

Në seancën e fundit gjyqësore për këtë rast, prokurori Valdet Avdiu kërkoi që Krivaqa dhe Sejdiu të dënohen sipas ligjit.

Gjatë kësaj seance të mbajtur më 1 gusht, prokurori Avdiu tha se “nga të gjitha provat, dëshmitarët e dëgjuar dhe video-incizimet, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale si në aktakuzë”.

Ndërsa avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

Rexhepi tha se të akuzuarve duhet t’iu jepet dënim maksimal në mënyrë që këto raste të mos përsëritën kurrë më në Kosovë.

Avokati mbrojtës i Dardan Krivaqës, Admir Salihu, tha se gjykata duhet t’i marrë parasysh të gjitha elementet dhe rrethanat, pasi siç tha ai, “është provuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

Vetë Krivaqa shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur.

Paraprakisht Krivaqës, me kërkesë të avokatit mbrojtës, iu bë një ekzaminim psikiatrik. Raporti i këtij ekzaminimi konstatoi se Krivaqa nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore të karakterit psikotik.

Kërkohet dënim maksimal

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar një aktivitet para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku pritet të shpallet aktgjykimi për këtë rast.

“Për t’u siguruar që kërkesa jonë për drejtësi të jehojë edhe të premten para Gjykatës Themelore në Ferizaj, ne mblidhemi nga ora 10:30 para dyerve të gjykatës për të kërkuar drejtësi për Marigonën dhe ndëshkim maksimal për vrasësit”, u tha në reagimin e kësaj organizate.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist tha po ashtu se nuk mund të harrohet “dhuna mizore”, që sipas organizatës, Krivaqa më ndihmën e Sejdiut, i shkaktuan Marigona Osmani derisa ajo vdiq.

“Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot, nëse shteti do ta mbronte me kohë atë”, u tha në reagim.

Përkundër provave të paraqitura, avokatët mbrojtës të Krivaqës dhe Sejdiut, kishin kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës. Por, gjyqtari i çështjes, Sahit Krasniqi, më 2 shtator të vitit 2022, refuzoi kërkesën dhe kundërshtimin e provave që u paraqitën nga ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më 2023, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor të vitit të kaluar, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë.

Vrasjen e kreu bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.

Policia e Kosovës e zvogëlon sërish prezencën në veri

Policia e Kosovës ka bërë të ditur të enjten se më 4 gusht do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën në dhe rreth objekteve komunale në veri të Kosovës.

Policia e ka marrë një hap të tillë edhe në korrik, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionim të situatës në atë pjesë të vendit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së sigurisë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimit të Ligjit, EULEX.

Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.

Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.

Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Mirëpo, së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë aq e sigurt saqë të jetë e pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, ka thënë Kurti, gjatë një konference për media.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.

Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.

Morën pjesë në protestat e dhunshme në veri, Kosova dëbon dy serbë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar dy persona të nacionalitetit serb me inicialet S.J. dhe I.S., me gjashtë muaj burgim, me mundësinë e shndërrimit të dënimit në gjobë.

Avokati Lubomir Pantoviq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se paratë u janë dorëzuar autoriteteve, dhe ata do të kthehen në Serbi, më 3 gusht.

“Ndaj tyre është caktuar masa e dëbimit nga Kosova dhe ndalimi i hyrjes në shtet për tri vjet”, ka thënë Pantoviq.

Të dy personat janë arrestuar në fund të majit në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, ndërsa në fund të korrikut ata janë paditur nën dyshimet për “pjesëmarrje në protesta të dhunshme” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”.

Zyra e Prokurorit në Kosovë, ka thënë paraprakisht se të dy personat kanë qenë duke “përgatitur veprime për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm” dhe ata janë në kontakt me “protestues të dhunshëm serbë”, të cilët janë përleshur me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 maj, para ndërtesës komunale të Zveçanit.

Në këtë konflikt janë plagosur rreth 30 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra protestues të komunitetit serb. Policia e Kosovës i ka arrestuar deri më tani disa serbë për sulmet ndaj policisë, KFOR-it dhe gazetarëve.

Megjithatë, shumica janë liruar që atëherë.

Situata në veri është tensionuar në fund të majit pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet. Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë të angazhuar në atë zonë.

Më 10 korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian, kanë arritur marrëveshje për ulje të tensioneve, që mes tjerash parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja./REL/

KQZ-ja e gatshme të organizojë sërish zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm të organizojnë sërish zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse, ka thënë zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Sipas tij, KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen, “prandaj edhe do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, ka thënë ai.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për largimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri.

Grupi punues duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë te zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri me datën 1 shtator të këtij viti.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve në veri, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.

BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor. /EO

Largimi i policisë nga ndërtesat e komunave në Veri, çfarë u morën vesh Policia, KFORi e EULEXi?

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, është takuar dje me Komandantin e KFOR’it, gjeneral Angelo Michele RISTUCCIA,  shefin e EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano dhe përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë, për vlerësimin e situatës së sigurisë në veri të vendit, raporton Express.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

“Çështjet të cilat u diskutuan kishin të bëjnë me situatën e sigurisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe zhvillimet e fundit në veri të vendit. Në takim u vlerësua me interes të përbashkët bashkëpunimi dhe koordinimi në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive përkatëse, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si qëllim i përbashkët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndryshe, më 10 korrik, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Emisari i BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ishin dakorduar për zvogëlimin e menjëhershëm në masën e 25 përqind të prezencës policore në dhe rreth ndërtesave komunale në veri.

Pjesë e dakordimit ishte edhe që Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, “sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.”

Rozeta Hajdari thotë se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve të ARBK-së

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se janë iniciuar kallëzime penale ndaj zyrtarëve në Agjencinë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) dhe përfaqësuesve të kompanive lidhur me shkeljet e bëra gjatë regjistrimit në këtë agjenci.

Kështu bëri të ditur MINT përmes një njoftimi për media ku publikoi fjalimin e plotë të ministres Hajdari. Ajo këtë adresim e bëri gjatë një konference për media më herët gjatë 1 gushtit, konferencë që u bojkotua nga shumica e mediave, në shenjë pakënaqësie me pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Hajdari tha se përveç kallëzimeve penale kanë nisur edhe procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të ARBK-së.

Ministrja Hajdari tha se shkeljet janë gjetur nga Komisioni për riverifikimin e dosjeve në ARBK. Sipas saj, nga 10 deri më 19 korrik, ky komision ka verifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK, dhe ka gjetur se 48 dosje kanë pasur emërtime kundërkushtetuese “ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj”.

Për shkak të këtyre shkeljeve, Hajdari tha se më 31 korrik, janë shfuqizuar certifikatat e pesë bizneseve që kishin emërtime antikushtetuese.

“ARBK do të vazhdojë me nxjerrjen e vendimeve edhe ndaj bizneseve të tjera të cilat e kanë kryer shkeljen e njëjtë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ndërkaq, duke folur për rastin e televizionit Klan Kosova, ministrja Hajdari tha se pezullimi i certifikatës së biznesit të këtij televizioni “nuk kishte fare për qëllim që ta kufizojë fjalën e lirë, lirinë e shprehjes dhe punën e mediave në vendin tonë, por vetëm që t’i zbatojë kërkesat legjitime të Kushtetutës dhe ligjeve”.

“Pra, qëllimi i vetëm i procesit administrativ të ARBK-së, në rastin e Klan Kosovës Sh.P.K. dhe bizneseve tjera që janë identifikuar, ka qenë zbatimi i ligjit, as më shumë, as më pak”, tha ajo.

Më 31 korrik, punonjësit medialë kanë protestuar në Prishtinë lidhur me rastin e shfuqizimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, që mund të çojë në mbylljen e këtij televizioni kombëtar privat.

Çfarë ka ndodhur me certifikatën e biznesit të Klan Kosovës?

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Pas kësaj, ARBK-ja ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.

“Pavarësisht se Klan Kosova SH.P.K. ka ndërmarrë hapat e rregullimit të dokumentacionit sipas udhëzimeve të MINT për të përmirësuar çështjen teknike në regjistrim, vendimi i Komisionit është refuzues, dhe si i tillë arbitrar dhe i papranueshëm për shoqëritë demokratike dhe shtetet ligjore”, thuhej në njoftimin e Klan Kosovës.

MINT më 31 korrik tha se komisioni i tij e ka mbyllur këtë çështje, pra do ta mbajë në fuqi pezullimin e licencës së biznesit të televizionit, por konfirmoi se Klan Kosova gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.rel

Presidentja Osmani dekreton Ligjin për Arsimin e Fëmijërisë së Hershme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka dekretuar Ligjin për Arsimin e Fëmijërisë së Hershme.

Ajo tha se ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të sistemit arsimor në Kosovë.

“Sa më shumë kohë kalojnë fëmijët në parashkollor, aq më produktivë bëhen ata si të rritur. Përgëzoj Ministrinë e Arsimit për punën e saj në këtë ligj të rëndësishëm”, tha Osmani.

Hovenier kërkon sërish de-eskalim në veri: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit nga të dyja palët

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka kërkuar sërish de-eskalim të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, nga Kosova e Serbia.

Sipas tij, kjo i ndihmon Kosovës që të arrijë integrimin euro-atlantik.

“Mendojmë se është e rëndësishme të arrijmë de-eskalim të mëtutjeshëm në veri dhe të anashkalojmë raste ku akte të dhunshme na dalin në udhë. Kjo i ndihmon Kosovës që të arrijë integrimin euroatlantik”.

“Ka marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është marrëveshja e Ohrit, dhe fokusi ynë është që të zbatohet kjo marrëveshje nga të dyja palët. Nga Qeveria e Kosovës presim që të krijojë rrethanat dhe të marrin veprime që do e de-eskalojnë situatën në të cilat krijohen mundësitë që të përmbushen kushtet që të implementohen përgjegjësitë e të dy shteteve”.

“Fillimisht ekziston një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ne jemi të interesuar që ajo të implementohet. Qeveria e Kosovës duhet të gjejë mënyra që të gjejë zgjidhje për veriun. Për Kosovën është me rëndësi që të të punohet me urgjencën që të negociohet me serbët lokal në mënyrë që ata të jenë pjesë e proceseve”.

“Edhe Qeveria e Serbisë duhet që të merret me obligimet që i ka në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë unë shpresoj dhe mendoj se konflikti nuk është zgjidhje”.

Këto komente ai i bëri pasi dhuroi donacioni prej 250 kamera të trupit e 113 të instaluara në vetura për Policinë e Kosovës.

Komunat ne veri të Kosovës- Kurti nis procedurat për largimin e kryetarëve, afati deri më 1 shtator

Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Pas pajtimit që ai bëri për shtensionim të situatës në veri të vendit, ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.

Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.

Në vendimin e siguruar nga Gazeta 10, thuhet që grupi punues do të mbështetët nga zyra e BE-së, përfaqësues nga ambasadat dhe OSBE-ja.

Kosovë, Autoriteti i Konkurrencës nis hetimet ndaj Telekomit të Serbisë

Prishtinë – Autoriteti i Konkurrencës ka nisur procedurë hetimore ndaj filialit të Telekomit të Serbisë në Kosovë, MTS. Ky institucion në Kosovë ofron shërbime të internetit dhe ato kabllore. Lajmin për hetime e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të këtij institucioni, Selajdin Beqa.

Sipas tij, arsyeja qëndron te shitblerja e aksioneve, duke fituar kontroll mbi ndërmarrjet tjera.

“Ne kemi hapur hetim ndaj ndërmarrjes MTS lidhur me mosaplikimin e paraqitjes së njoftimit të përqendrimeve në Autoritetin e Konkurrencës ashtu si e parasheh ligji. Ndërmarrja kishte dështuar të paraqes pranë autoritetit transaksionet me të cilat kishte blerë disa ndërmarrje në vendbanime të ndryshme të Kosovës duke i blerë ato pa i paraqit modifikimin në autoritet dhe mbi këtë bazë ne kemi hapur hetim. Tash kem bërë njoftimin preliminar, jemi te konstatimi fakteve dhe shkojmë sipas procedurës ligjore në seanca dëgjimore me ndërmarrjen dhe tani komisioni e thotë fjalën e vet”, ka deklaruar Beqja për Ekonomia Online.

Ai ka treguar se ankesat fillimisht kanë ardhur nga ndërmarrjet e vogla, të cilat u bën nismëtare të këtij hetimi.

MINT: Vendimi për ‘Klan Kosovën’ ishte i drejtë, sërish Kosova paraqitet si pjesë e Serbisë

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka dalë me sqarim të hënën duke bërë të ditur se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, ka verifikuar dokumentacionin në rastin “Klan Kosova Sh.P.K” dhe ka konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte i drejtë.

MINT-i, duke cituar Komisionin, tha se është siguruar dokumentacioni aktual nga institucioni në Maqedoninë Veriore dhe aty sërish ka gjetur se Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë.

“Në bazë të këtij dokumentacioni, i cili gjendet më poshtë (shih f. 1 dhe 3), Komisioni ka refuzuar ankesën e parashtruar nga pala në procedurë, duke konfirmuar të njëjtën shkelje të Kushtetutës që e ka konstatuar ARBK në shkallën e parë. Çdo palë në procedurë gëzon të drejtën e ankimimit ndaj vendimeve të ARBK-së. Mirëpo, shkeljet e Kushtetutës nuk mund të konsiderohen kurrë si çështje ‘teknike’”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Dyqanet në veri të Kosovës pa produkte të Serbisë

Produkte prej qumështi në një dyqan ushqimor në Kosovë, korrik 2023.$

Bekim Bislimi, Maja Fiqoviq

Për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e Veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia. Mungesë e këtyre produkteve vërehet edhe në komunat tjera të Kosovës.

Këtë e dëshmojnë për Radion Evropa e Lirë qytetarët dhe afaristët, ndërkaq kjo mund të konstatohet edhe nga raftet e dyqaneve, ku janë të renditura kryesisht produkte nga vendet e rajonit.

Njëri nga afaristët nga Mitrovica e Veriut, i cili këmbënguli të mbetet anonim, shpjegon se qumështi “Imlek” nga Serbia është zëvendësuar me “Bimilk” nga Maqedonia e Veriut dhe në vend të ushqimit të ngrirë “Frikom”, po ashtu nga Serbia, në ofertë është “Ledo” nga Kroacia.

“Na u desh të riorientoheshim dhe të blinim mallra që janë në dispozicion me shumicë. Po gjendemi ashtu siç na imponohet. ‘Bimlek’ nga Manastiri (nga Maqedonia e Veriut) është i njëjtë me ‘Imlek’ (nga Serbia), ndërsa produktet ‘Swissllion’ nga Serbia i zëvendësojmë me të njëjtat produkte që vijnë nga Maqedonia e Veriut”, thotë ky biznesmen.

“Bimilk” është pjesë e kompanisë rajonale “Imlek” me seli në Serbi, e cila operon edhe në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Produktet "Imlek" në një dyqan në veri të Kosovës fotografuar në vitin 2019.

Produktet “Imlek” në një dyqan në veri të Kosovës fotografuar në vitin 2019.

Mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës më 14 qershor për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia. Ky vendim pasoi arrestimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, për të cilët autoritetet në Prishtinë thanë se u “rrëmbyen”. Siç ishte paralajmëruar, një vendim i tillë është marrë për arsye sigurie dhe jo ekonomike dhe nuk dihet se sa do të qëndrojë në fuqi.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Kosovës marrin vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia apo vendosjen e taksave për to, por deri më tani janë përdorur të ashtuquajturat “rrugë alternative” në veri të Kosovës për import.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën, gjatë vitit të fundit kanë zhvilluar disa aksione kundër kontrabandës me mallra, ndërsa “rrugët alternative” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë nën kontroll të rreptë të Policisë së Kosovës.

Rasti i fundit ishte javën e kaluar në Leposaviq, komunë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit, kur Policia e Kosovës ndaloi një automjet me targa të Serbisë, të cilin e drejtonte një shtetas serb.

“Gjatë kontrollimit në automjet janë vërejtur pije alkoolike (verë) rreth 100 litra, si dhe pemë e perime”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovë të datës 26 korrik.

Automjeti me ngarkesën është dërguar në terminalin doganor.

Çfarë thonë banorët?

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut deklarojnë se “kundër vullnetit të tyre” është dashur të ndryshojnë zakonet e tyre dhe të fillojnë të blejnë produkte nga vendet e tjera të rajonit, në vend të atyre nga Serbia.

Milica thotë se më së shumti i mungojnë produktet e qumështit “Imlek”, pasi, siç thotë ajo, është mësuar me shijen e tyre.

“Po shkoj pak më lart, po kërkoj, mbase gjendet diku”, thotë ajo.

Ajo shton se do të fitojë shprehi të reja, nëse ndalimi i importit të mallrave nga Serbia mbetet në fuqi.

Edhe Ivana nuk mund të gjejë produkte nga Serbia në dyqanet lokale.

“Për shembull, nuk ka djathë feta për të blerë përditë. Dikur blija vetëm (produkte) serbe, tani nuk i gjej me ditë të tëra”, thotë ajo.

Banorët e Mitrovicës së Veriut ankohen për rritje të çmimeve, gjegjësisht se për të njëjtat produkte paguajnë më shumë sesa banorët e jugut.

“Çmimet janë më të lartat këtu. Pse është kështu, nuk e kuptoj fare”, thotë Ivana.

Dragica, po ashtu, vëren rritje të çmimeve për shkak të mungesës së mallrave nga Serbia. Për këtë arsye, ajo ka vendosur që të bëjë pazar në tregun e prodhimeve vendore.

“Treqind dinarë (2.5 euro) është një shishe me dy litra (qumësht)”, thotë Dragica.

Në anën tjetër, biznesmenë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë pohojnë se çmimet i dikton fakti se si i sigurojnë produktet dhe se nuk janë duke e keqpërdorur situatën. Megjithatë, ata nuk duan të flasin publikisht dhe në detaje për këtë temë.

Si është situata në komuna tjera?

Në mjediset e banuara me shumicë serbe në jug të lumit Ibër, mungesa e produkteve nga Serbia është e dukshme. Shumica e pronarëve të dyqaneve në Graçanicë, një komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, mallrat nga Serbia i kanë siguruar në Mitrovicën e Veriut.

“Është problem i madh, mallrat nga Serbia nuk mund të gjenden askund”, thotë një nga biznesmenët në Graçanicë, i cili nuk dëshiron t’i zbulohet identiteti.

Të dhënat nga muaji qershor i këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tregojnë rënie të importit të produkteve të Serbisë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në qershorin e vitit 2022, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë prej 33 milionë e 757 mijë euro. Në periudhën e njëjtë të vitit 2023, importet nga Serbia janë 13 milionë e 255 mijë euro.

Vendimi i Prishtinës zyrtare që pamundëson hyrjen e produkteve finale në tregun e Kosovës, vazhdon ende, thotë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna. Kjo masë, sipas tij, nuk vlen për lëndën e parë dhe gjysmë-produktet.

Mungesa e produkteve të Serbisë në mjediset e banuara me shumicë serbe, sipas tij, është rezultat i masës së Qeverisë ndaj këtyre produkteve, por edhe luftës efikase të organeve të rendit kundër kontrabandimit të këtyre produkteve.

“Po shohim çdo ditë që agjencitë e zbatimit të ligjit, Policia, Dogana, Administrata Tatimore, që kanë komunikata për mallrat kontrabandë që po i kapin duke hyrë sidomos në pjesën veriore, për arsye se vija e gjelbër kufitare është më e gjatë në atë pjesë. Së dyti është masa e sigurisë [e Qeverisë së Kosovës], e cila pamundëson importimin [e produkteve të Serbisë]”, thotë Rafuna.

Ai thekson se mungesa e produkteve nga Serbia në tregun e Kosovës, është kompensuar me produkte identike nga vendet tjera të rajonit. Kjo masë, sipas tij, deri më tash nuk ka prekur interesat e bizneseve të Kosovës, për shkak se është duke u zbatuar tash e dy muaj.

Sipas Rafunës, nëse masa vazhdon, atëherë në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, bizneset në Kosovë do të dëmtohen për shkak të kostos më të lartë që ka importi i produkteve identike nga vendet më të largëta. Kjo, sipas tij, pritet të ndikojë edhe në ngritjen e çmimeve të atyre produkteve.

Nxënësit e Kosovës shpërblehen në Paris: Jemi më mirë sesa na nxjerr PISA

Doruntina Baftiu

I ulur në një dhomë në rrugën Abdyl Frashëri në Prishtinë, sytë e Kron Selmanajt ndriçohen nga reflektimi i medaljes së artë. Duke e shikuar e rrotulluar nëpër duar atë medalje, 11-vjeçari kujton se si e fitoi atë rreth një javë më parë.

Më 21 korrik, mbi 2.300 kilometra larg shtëpisë së tij në Prishtinë, Kroni ishte ulur në një sallë testimi në Universitetin e Parisit në Francë, të njohur si Sorbonne.

Në qoshen e djathtë të rreshtit të fundit të asaj salle, ai thotë se u ndie “paksa i stresuar”, kur u përball me fletushkën plot me detyra të matematikës, të cilat duhej t’i zgjidhte.

“Në fillim jam stresuar shumë, nuk e kam pritur fare që do të fitoj”, thotë Kroni, i cili zuri vendin e tretë në garën ndërkombëtare për matematikë, Olimpiadën STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), që u zhvillua në Paris.

Kron Selmanaj, nxënës nga Kosova që zuri vendin e tretë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës për matematikë.

Kron Selmanaj, nxënës nga Kosova që zuri vendin e tretë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës për matematikë.

Kroni dhe 13 garues të tjerë e përfaqësuan për herë të parë Kosovën në edicionin e tretë të kësaj olimpiade. Ata u zgjodhën pas dy fazave testuese që mbajti qendra Infinit, ku morën pjesë gjithsej 450 nxënës nga e gjithë Kosova.

Kosova zuri edhe dy vende të dyta – me Arijon Sylën në garën e matematikës dhe Kushtrim Kajoshin në garën e shkencës. Medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta morën edhe garues të tjerë.

Sapo mori vesh se ishte i suksesshëm në testim, Kroni mori në telefon nënën e tij, e cila e kishte shtyrë të garonte në Olimpiadën STEM.

“Kur janë prindërit krenarë me mua, ndihem edhe unë krenar me veten. Prandaj, jam shumë i gëzuar, ende nuk mund ta besoj”, thotë ai.

Nxënësit nga Kosova në Paris të Francës.

Nxënësit nga Kosova në Paris të Francës.

Njëmbëdhjetëvjeçari thotë se ndihet krenar edhe që përfaqësoi Kosovën në këtë garë, ku morën pjesë më shumë se 11.000 nxënës nga mbi 114 vende, sipas të dhënave në uebfaqen e Olimpiadës.

“Shumë pak e kanë njohur Kosovën. Mendoj se tash, në fund të garës, e njohin më shumë, sepse Kosova ka fituar shumë në këtë garë. Mendoj që kanë për ta mbajtur Kosovën në mend edhe njerëzit e huaj që kanë qenë në atë garë”, thotë Kroni.

Një ditë pas testimeve, Kroni zbriti në një skenë në muzeun më të madh të shkencës në Evropë – i njohur si Qyteti i Shkencës dhe Industrisë (CSI) – për të marrë medaljen e tij. Bashkë me të, të rrethuar nga flamuri i Kosovës, ishin disa nxënës, përfshirë Emir Lezin.

Nxënësit nga Kosova, në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Nxënësit nga Kosova, në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Emiri mbante rreth qafës së tij një medalje të artë, që tregonte suksesin e tij në garën e shkencës. Në mesin e 40 pyetjeve të cilave Emiri iu përgjigj, ishte edhe kjo:

Cilat nga materiet e mëposhtme janë kristale të ngurta?

  • Kripa
  • Sheqeri
  • Kuarci
  • Diamanti
  • Të gjitha

“Opsioni i saktë ishte ai që e kam bërë unë, të gjitha janë kristale të ngurta. E kam mësuar edhe në shkollë, por edhe logjikisht, kripa dhe sheqeri duken si kristale dhe janë të ngurta, kështu që janë kristale të ngurta”, thotë Emiri për Radion Evropa e Lirë.

Emir Lezi, nxënësi nga Kosova që fitoi medalje në garën për shkencë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Emir Lezi, nxënësi nga Kosova që fitoi medalje në garën për shkencë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Ai thotë se ndihet krenar me veten për suksesin e treguar, por thotë se do të donte të mos ishte ngutur aq shumë, pasi që beson se mund të kishte arritur rezultate edhe më të mira.

“E kam kryer testin për 20 minuta, por të tjerët e kanë bërë për 1 orë. Unë do t’u thosha [të tjerëve] të mos nguten, sepse disa nxënës që janë në të njëjtën moshë si unë, kanë dalë më mirë, sepse kanë pritur dhe i kanë këqyrur pyetjet mirë”, thotë ai.

Nxënësit që morën pjesë në këtë olimpiadë, patën mundësinë të vizitojnë edhe Kullën Eiffel, muzeun e shkencave CSI, dhe parkun Disneyland.

Në mendjen e Emirit mbeti një aktivitet në të cilin ai mori pjesë gjatë vizitës në muzeun e shkencave. Me krahët e ngritur lart, Emiri kishte mësuar se si aeroplanët fluturojnë dhe e kishte praktikuar mësimin e marrë në një test.

“I vendosa duart në formë të T-së dhe pastaj ashtu fluturon, duke lëvizur duart dhe trupin. Kanë qenë tri rezultate të mundshme. Rezultati më i mirë ka qenë ai që e mora unë: që aterova aeroplanin në kohën e duhur”, kujton Emiri.

Një nxënës nga Kosova duke bërë ushtrimin se si të fluturohet një avion në muzeun e shkencës në Paris të Francës.

Një nxënës nga Kosova duke bërë ushtrimin se si të fluturohet një avion në muzeun e shkencës në Paris të Francës.

Olimpiada STEM, ku mori pjesë Emiri dhe nxënës të tjera nga Kosova, ka për qëllim, siç thuhet në ueb-faqen e saj, t’i mësojë nxënësit se si “metodat shkencore mund të aplikohen në jetën e përditshme”.

Merita Aliçkaj, koordinatore e qendrës Infinit që është licencuar për përfaqësim të Kosovës në këtë olimpiadë, beson se pikërisht kjo gjë duhet të bëhet edhe në sistemin arsimor në Kosovë.

“Ajo që unë mendoj se duhet të aplikohet në sistemin tonë, është kjo: të jenë gjërat praktike, sepse i mësojmë [nxënësit] shumë teori, i lodhim shumë fëmijët me informacione që nuk iu duhen. Por, atje [në Olimpiadë] ishte gjithçka konkrete dhe e kapshme: [nxënësi] mëson diçka dhe e praktikon pastaj menjëherë”, thotë ajo.

“Është përmendur shumë testi PISA. Unë mendoj që pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të ndërrohet edhe mënyra e vlerësimit, por edhe ofrimit të informacioneve për fëmijët tanë. Sepse, ne e dëshmuam që përveçse janë në një hap me fëmijët e botës, jemi ndër të parët që mund të arrijmë”, shton Aliçkaj.

Merita Aliçkaj, koordinatore në qendrën Infinit.

Merita Aliçkaj, koordinatore në qendrën Infinit.

Ajo thotë se Kosova pati rezultate më të mira sesa shumë shtete të tjera, duke përmendur SHBA-në, Francën, Gjermaninë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në dy testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA, Kosova ka dalë gati në fund të ranglistës botërore. Në vitin 2015, Kosova ishte vendi i tretë me rezultatet më të këqija në këtë test në botë, ndërsa në vitin 2018 u radhit vetëm një pozitë më mirë.

Ky test mbahet çdo tre vjet, mirëpo së fundi u mbajt në vitin 2022 dhe jo më 2021, shkaku i pandemisë COVID-19. Rezultatet e testit të fundit pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.

Kron Selmanaj dhe Emir Lezi pozojnë me medaljet e fituara në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Kron Selmanaj dhe Emir Lezi pozojnë me medaljet e fituara në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Lista Serbe: Pa largimin e njësive të posaçme, është e pakuptimtë të flitet për zgjedhje të reja

VOA

Përfaqësuesi i Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, Igor Simiç, tha në një intervistë me programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se pa shtensionimin e situatës në veri të Kosovës është e pakuptimtë për flitet për zgjedhje të reja.

Igor Simiç së bashku me zyrarin tjetër të Listës Serbe Slavko Simiç qëndroi në Uashington për takime me zyrtarët amerikanë, në kuadër të diskutimeve mbi situatën aktuale në veri të Kosovës dhe mundësitë e uljes së tensioneve.

Tensionet në veri u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

“Në një atmosferë frike për mbijetesën dhe sigurinë e popullit serb, është e pamundur të zhvillohet një fushatë normale. Është e nevojshme, që ato njësi të posaçme të tërhiqen, kjo është kërkesa e serbëve, kërkesa e Bashkimit Evropian, kërkesa e SHBA-së”, tha zoti Simiç, duke theksuar se fillimisht duhet të shtensionohet situata e pastaj të flitet për zgjedhjet.

Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar praninë e njësive të policisë me 25 për qind në ndërtesat komunale në veri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Igor Simiç tha se bashkëbiseduesit e tij në Uashington shpresojnë që do të ndodhë shtensionimi, për të cilin ai shprehet i rezervuar.

Mbi 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja u plagosën më 29 maj në përleshje me protestuesit serbë në veri. Zoti Simic thotë se ishte Prishtina ajo që krijoi një situatë nxitëse që çoi në përleshje “fatkeqe”, të cilat “nuk dërguan një pamje të mirë”. Megjithatë, sipas tij, prania e trupave të NATO-s në veri është e domosdoshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë e komunitetit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha gjatë javës se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit nuk mund të mbahen pa u shtensionuar plotësisht situata, ndonëse institucionet po përgatiten për mbajtjen e tyre.

Kosova përmendet në takimin Biden-Meloni në Shtëpinë e Bardhë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia kanë në vëmendje Ballkanin Perëndimor. Kjo është konfirmuar nga një deklaratë e përbashkët e presidentit Joe Biden me kryeministren Georgia Meloni, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë. Konkretisht theksuan përkushtimin e përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për integrimin euroatlantik të rajonit.

Kosova, tensionet në veri dhe problemet me Serbinë ishin gjithashtu pjesë e bisedës mes Biden dhe Melonit.

Ata u pajtuan për të përforcuar koordinimin në favor të qetësimit të situatës dhe pajtimit, si dhe pranuan rolin kyç të QUINT-it. Shtetet e Bashkuara mirëpresin përkushtimin e qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, përfshirë përmes kontributit të forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR Althea.

Deklaratë Biden-Meloni

Megjithatë nuk sqarohet se çfarë hapash do të ndërmarrin për zgjidhjen e krizës aktuale mes Prishtinës dhe Beogradit. Për ta qartësuar këtë ndoshta mund të ndihmojë vizita që pritet të zhvillojë në Kosovë, Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Më herët, i dërguari i posaçëm i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, Gebriel Escobar, dëshmoi në kongres lidhur me zhvillimet në rajon. Ai foli me shqetësim të madh për raportet e trazuara të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-të dhe Bashkimin Europian.

Escobar kërkoi nga Beogradi, por kryesisht nga Prishtina që të zbatojë marrëveshjen e Ohrit, duke konfirmuar se do të sjellë njohje të reja për Kosovën. Zyrtari i Departamentit të Shtetit konfirmoi se aspirate e Uashingtonit është që Kosova të jetë anëtare e NATO-s, BE-së dhe që të ketë një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. syri.net

Sanksionet amerikane s’e ndalin punën e kompanisë së Steviqit në Kosovë

Rrethrrotullimi në Mitrovicë të Veriut, korrik 2022. Paratë për ndërtimin e tij janë siguruar nga buxheti i Serbisë dhe puna i është dhënë kompanisë së Radulle Steviqit, e cila është nën sanksionet amerikane që nga viti 2021.

Sandra Cvetkoviq

Fakti që biznesmeni nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, nuk ka marrë asnjë cent nga institucionet e Kosovës që nga fundi i vitit 2021, kur është futur në listën e zezë amerikane, nuk e ka penguar punën e kompanisë së tij as në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, e as në pjesë të tjera të vendit.

Prishtina, Skenderaj, Gjilani, Obiliqi, Klina, Prizreni, Lipjani, Vushtrria e Fushë Kosova janë vetëm disa nga 16 komunat, ku kompania e Steviqit “RAD 028”, e regjistruar në sistemin serb, duhet të rinovojë objekte banimi.

Në këto komuna, shqiptarët janë shumicë, por në listë janë edhe ato me shumicë serbe, si Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani e Novobërda.

Kështu, për shembull, një tender në vlerë prej rreth një milioni e gjysmë eurosh është shpallur në fund të vitit 2022 nga Komuna e Zveçanit, në veri të Kosovës, e cila funksionon nën sistemin e shtetit të Serbisë.

Kontrata me kompaninë “RAD 028”, e publikuar në portalin e prokurimit publik në Serbi.

Kontrata me kompaninë “RAD 028”, e publikuar në portalin e prokurimit publik në Serbi.

Steviq, i cili edhe vetë është nga Zveçani, është pronar edhe i dy kompanive të regjistruara në sistemin e Kosovës: “RAD” D.O.O. dhe “RAD” P.T.P.

Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin Prokurimi i Hapur, Steviq, derisa nuk ka qenë nën sanksionet e SHBA-së, ka fituar mbi 5 milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.

Pse Steviq është nën sanksionet amerikane?

Në dhjetor të vitit 2021, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive që i ka konsideruar përgjegjëse për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në mesin e tyre ka qenë edhe Radulle Steviq dhe kompanitë e tij nën sistemin serb dhe atë të Kosovës.

Ai është i lidhur edhe me një biznesmen tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, të cilin SHBA-ja e sheh si udhëheqës të grupeve të korruptuara, të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.

“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efekte të mëdha destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, ka thënë në atë kohë Departamenti i Thesarit i SHBA-së.

Si dhe ku funksionon “RAD 028” në Kosovë?

Ndërtimi apo renovimi i objekteve të ndryshme, i rrugëve, prokurimi i mobilieve, makinerive bujqësore apo edhe i bimëve të luleve për mbi 18 komuna të Kosovës janë vetëm disa nga tenderët e fituar nga kompania “RAD 028”.

Ajo është e regjistruar në sistemin serb dhe merr tenderë nga komunat paralele që financohen nga buxheti i Beogradit zyrtar.

Sipas të dhënave që mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, “RAD 028” ka marrë mbi gjashtë milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.

Përndryshe, bizneset në Kosovë, në bazë të një dekreti të Qeverisë së Serbisë, janë të liruara nga tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH), i cili është 20 për qind. Kjo rregullore e vitit 2011 i referohet furnizimit të mallrave dhe shërbimeve që paguesit e TVSH-së bëjnë nga Serbia në Kosovë.

Në bazë të kontratave të disponueshme në portalin e prokurimit publik, shihet se “RAD 028”, në të shumtën e rasteve, është i vetmi ofertues, pra nuk ka konkurrencë.
Shpesh ndodh që tenderët për zonat në jug të Ibrit në Kosovë të shpallen dhe të jepen nga një prej autoriteteve të përkohshme komunale nga veriu, të cilat punojnë në sistemin serb.

Për shembull, më 30 qershor të këtij viti, Komuna e Zveçanit i ka dhënë kompanisë “RAD 028” “projektimin dhe ndërtimin e qendrës kulturore dhe arsimore në Gushtericë të Poshtme, për nevojat e ndërmarrjeve publike administrative dhe të institucioneve kulturore – Komuna e Lipjanit”.

Vlera e projektit është rreth 420 mijë euro.

Gushterica e Poshtme është një fshat që i përket Komunës së Graçanicës, sipas sistemit të Kosovës, e që gjendet rreth 10 kilometra larg Prishtinës.

Gjithashtu, në shtator të vitit 2022, organi i përkohshëm komunal i Zveçanit i ka dhënë kompanisë së Steviqit tenderin për “kryerjen e punimeve dhe ndërtimin e fabrikës për prodhimin e pijeve alkoolike dhe të vajit të farës së rrushit në Hoçë të Madhe – Komuna e Rahovecit”.

Për këtë fabrikë nga buxheti i Serbisë janë ndarë mbi një milion e gjysmë euro.

Kontrata me kompaninë “RAD 028” për ndërtimin e fabrikës në Rahovec.

Kontrata me kompaninë “RAD 028” për ndërtimin e fabrikës në Rahovec.

Në bazë të analizës së kontratave nga portali i prokurimit publik në Serbi, Radio Evropa e Lirë ka ardhur në informacionin se kompania e Steviqit ka marrë rreth 10 milionë euro në vitin 2022.

Në këtë vit ka pasur edhe blerje të fidanëve për 18 komuna në territorin e Kosovës, për të cilat “RAD 028” ka marrë rreth 200 mijë euro.

Kontrata nuk specifikon saktësisht se për cilat komuna bëhet fjalë.

Në anën tjetër, në komunat në veri të Kosovës, “RAD 028” realizon projekte edhe më të vlefshme.

Brenda dy ditësh, nga komuna paralele në Mitrovicën e Veriut, të financuar nga buxheti i Serbisë, ka marrë dy tenderë të mëdhenj në vlerë prej rreth pesë milionë eurosh.

Njëri ka të bëjë me kryerjen e punëve në ndërtimin e universitetit të sistemit serb, ndërsa tjetri ka të bëjë me rindërtimin apo ndërtimin e objekteve në kuadër të “Qendrës Shëndetësore të Mitrovicës së Kosovës”.

Kontrata milionëshe me kompaninë “RAD 028” për ndërtimin e universitetit, e disponueshme në portalin e prokurimit publik në Serbi.

Kontrata milionëshe me kompaninë “RAD 028” për ndërtimin e universitetit, e disponueshme në portalin e prokurimit publik në Serbi.

Kontrata milionëshe me kompaninë “RAD 028” për punimet në “Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës së Veriut”.

Kontrata milionëshe me kompaninë “RAD 028” për punimet në “Qendrën Shëndetësore të Mitrovicës së Veriut”.

Steviq “nuk ka kohë”

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Steviqin dhe ka tentuar të marrë më shumë detaje prej tij për tenderët, realizimin e projekteve dhe funksionimin e kompanive të tij, por ai ka refuzuar të flasë, me arsyetimin se nuk ka kohë.

Më herët, Steviq ka thënë për mediat lokale, të cilat raportojnë në gjuhën serbe në Kosovë, se ai është duke bërë biznes legalisht dhe se nuk e di pse SHBA-ja ka vendosur sanksione kundër tij. Ai, po ashtu, ka thënë se nuk e ka parë Zvonko Vesellinoviqin për 20 vjet.

REL-i i është drejtuar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me pyetjen se si pothuajse të gjitha projektet e mëdha në Kosovë i jepen një kompanie që SHBA-ja e lidh me aktivitete korruptive, por nuk ka marrë përgjigje. Kjo zyrë nuk është përgjigjur as në pyetjen nëse janë realizuar të gjitha projektet në zonat me shumicë serbe në Kosovë, për të cilat Steviq ka marrë para.

A është i ligjshëm biznesi i kompanisë së Steviqit në Kosovë?

Përveç faktit se pronari i kompanisë “RAD 028”, Radulle Steviq, është nën sanksionet e SHBA-së, është konstatuar po ashtu se ai ndërton pa leje nga institucionet e Kosovës.
Më 20 qershor, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka bllokuar ndërtimin e së paku tri objekteve, për të cilat ka thënë se nuk kanë leje.

Një prej tyre është pikërisht ndërtesa e universitetit, punimet e së cilës i kryen kompania e Steviqit.

Në bazë të tabelës informative përpara këtij objekti, leja e ndërtimit për të është lëshuar në vitin 2020 vetëm nga një autoritet i përkohshëm, i cili punon në sistemin serb.

Ndërtesa e papërfunduar e Universitetit që punon në sistemin serb në Mitrovicë të Veriut.

Ndërtesa e papërfunduar e Universitetit që punon në sistemin serb në Mitrovicë të Veriut.

REL-i nuk ka arritur të përcaktojë nëse projektet e tjera të përmendura në këtë tekst, kanë marrë leje nga institucionet përgjegjëse të Kosovës.

Mirëpo, në bazë të praktikës së mëparshme, dihet se lejet për ndërtime me fonde serbe jepen vetëm nga organet serbe në Kosovë.

Një shembull i tillë është vendbanimi i të kthyerve “Sunçana dollina” në Zveçan, ndaj të cilit ka nisur procedurë ligjore, për shkak të mungesës së lejeve. Megjithatë, ajo është pezulluar në mesin e korrikut 2021, për shkak të “vjetërsimit të lëndës”.

Edhe pse autoritetet serbe disa herë kanë paralajmëruar se të kthyerit serbë do të vendosen në këtë vendbanim, kjo nuk ka ndodhur ende.

Çfarë thonë institucionet e Kosovës?

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, e cila është përgjegjëse për regjistrimin e kompanive dhe dhënien e tenderëve publikë, me pyetjen se a është në dijeni se kompania e Steviqit, e regjistruar në sistemin serb, rregullisht dhe pa probleme të mëdha, realizon projekte të bazuara në tenderët e marrë nga Serbia.

REL-i nuk ka marrë përgjigje as në këtë pyetje, e as në pyetjen nëse është ndërmarrë ndonjë hap ndaj kompanive të regjistruara në sistemin e Kosovës, “RAD” D.O.O dhe “RAD” P.T.P., të cilat po ashtu janë nën sanksionet e SHBA-së.

Megjithatë, shpjegimi ka ardhur nga Autoriteti i Tenderit, i cili ka të drejtë të vendosë një sipërmarrës në të ashtuquajturën listë të zezë.

Siç thuhet në përgjigjen për REL-in, kompanitë e Steviqit nuk janë në këtë listë të zezë, sepse nuk ka vërejtje nga klientët për punën e tyre.

Sipas të dhënave të prokurimit publik në Kosovë, deri në vendosjen e sanksioneve ndaj Steviqit në fund të vitit 2021, “klientë” të tij kanë qenë kryesisht komunat me shumicë serbe në veri, të cilat punojnë në sistemin e Kosovës: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.

“Për çështjen që kompania në fjalë është nën sanksionet e SHBA-së, autoriteti shqyrtues i prokurimit publik nuk ka kompetencë të marrë masa në lidhje me listën e zezë, përveç në rastet e parashikuara në Nenin 99.2 të Ligjit të Prokurimit Publik”, thuhet në përgjigjen e Autoritetit të Tenderit.

Ky nen i Ligjit për Prokurim Publik në Kosovë i referohet situatës kur autoriteti kontraktues pretendon se janë paraqitur të dhëna të rreme apo dokumente të falsifikuara.

Përgatiti: Valona Tela

Ambasadori Hovenier për kërcënimet ndaj policëve në veri: Të papranueshme

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është shprehur i shqetësuar për raportimet se zyrtarët e ri policorë në veri të vendit që vijnë nga komunitetet janë kërcënuar.

“Kërcënimet dhe frikësimet e individëve që shërbejnë për të mirën e të gjithë qytetarëve në Kosovë janë komplet të papranueshme”, ka shkruar ai në Twitter,.

“E kam thënë më parë, Policia e Kosovës ekziston për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe përbërja e saj duhet ta pasqyrojë diversitetin e Kosovës”.

Fushata kundër policëve të rinj nga komunitetet, reagon Ambasadori gjerman

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se frikësimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga radhet e komuniteteve është shqetësues dhe duhet të ndalet menjëherë, shkruan Express.

Rohde ka thënë se policët e rinj nga komunitetet meritojnë të gjithë mbështetjen, sidomos nga komunat dhe qytetarët ku ata janë të vendosur.

“Plotësisht dakord. Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë. Policët e rinj nga komunitetet boshnjake, rome, serbe dhe turke të Kosovës meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka shkruar Rohde, duke u pajtuar me qëndrimin e shefit të EULEX-it.

Shefi i ri i EULEX-it, Giovani Pietro Barbano, ka shkruar se çdo lloj frikësimi është i papranueshëm.

“Jam shumë i shqetësuar për raportimet e mediave në lidhje me mesazhet kërcënuese kundër policëve të sapo-dislokuar të Policisë së Kosovës nga komunitetet jo-shumicë.Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton dhe përfaqëson tërë popullatën e Kosovës”, ka shkruar Barbano./Express/


Send this to a friend