VOAL

VOAL

Polemika PDK-LDK për mungesën e kontrollit fizik të deputetëve – nesër shtohen masat e kontrollit

Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, edhe pse sërish munguan shefat e grupeve parlamentare të opozitës, Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, nuk kaloi pa fërkime

PRISHTINË – Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka vendosur që seanca e ardhshme plenare të mbahet nesër, të enjten, me fillim nga ora 10:00. Pas polemikave dhe fërkimeve të shumta ndërmjet të përfaqësuesve të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për shkak të mospërdorimit të sigurimit fizik nga ana e Kryetarit të Kuvendit, për ta ndërprerë bllokimin e punës nga opozita, në çka po insiston LDK, në fund u vendos që nesër do të shtohen masat e kontrollimit fizik të gjithë deputetëve.

Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën sërish munguan shefat e grupeve parlamentare të opozitës, Vetëvendosjes (VV), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, megjithatë nuk kaloi pa fërkime.

Kësaj radhe polemika pati ndërmjet të PDK-së dhe LDK-së për shkak të qëndrimit tolerant të kryeparlamentarit Veseli ndaj opozitës, përkundër veprimeve që nga bashkësia ndërkombëtare u quajtën jodemokratike dhe të dhunshme, pasi deputetët e opozitës përdorën filikaqa, hodhën ujë dhe në fund, gaz lotsjellës, për ta penguar zhvillimin e seancës normale të Kuvendit.

Fillimisht, kryeparlamentari Veseli deklaroi se, bllokimi i Kuvendit nga partitë opozitare po bëhet kryekëput për arsye politike dhe po pamundësohet debati për shumë çështje, përfshirë edhe dy marrëveshjet e kontestuara nga opozita, për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Ai shtoi se, me këtë bllokim po tentohet të kërkohet shkas për nxitjen e trazirave më të mëdha, në rrugë.

“Është një situatë reale të cilën e kemi qe një muaj, dikujt i ka pëlqyer e dikujt jo, mënyra se si e kemi kaluar këtë muaj. Ne jemi duke u futur drejt krizës drejt një qëllimi të qartë që përmes Kuvendit të fillohet lëvizja e madhe dhe Kuvendi të përdoret si shkas. Si kryetar i Kuvendit do të luftoj deri në fund që, Kuvendi të mos përdoret për një revolucion të fuqishëm, të madh e as të vogël” tha Veseli.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri kundërshtoi këtë qëndrim të kryeparlamentarit duke insistuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit qartazi e përcakton se si duhet të veprohet në rast të bllokimit të punës së Kuvendit.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka kërkuar nga Veselit ë jetë më i vendosur në gjetjen e rrugëve për ta tejkaluar këtë situatë dhe se, në këto rrethana njeriu nuk mund të mbetet i mirë me të gjithë.

“Ne duhet me e deblloku  punën e Kuvendit , duhet me e funksionalizu dhe ndoshta të gjitha detajet nuk përcaktohen megjithatë, mjaftueshëm përcaktohet në Rregullore ajo se, si mund të vije deri tek debllokimi” tha Beqiri .

Ai insistoi tek kryeparlamentari që të shtohet maksimalisht kontrollimi i deputetëve, për të parandaluar futjen e mjeteve të rrezikshme dhe të palejuara në Kuvend, që do të mund të rrezikonin deputetët.

Kjo deklaratë e Beqirit e ka nxitur kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin që të reagoi duke thënë se, ai kurrë në jetë nuk është frikuar, përveç nga turpi dhe me këtë rast ka ripërsëritur se, sa të jetë ai kryetar i Kuvendit, forcat e sigurimit nuk do të ndërhyjnë gjatë seancës për shkak të debateve të nxehta apo hedhjeve të vezëve.

Sidoqoftë, Veseli u shpreh se, në bazë të Rregullores e ka për obligim që për shtimin e masave të sigurisë të konsultohet dhe të vendos së bashku me të gjithë anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, gjë të cilën pastaj është i obliguar edhe ta zbatojë në sallë.

“A dëshironi t’i largoni 29 deputetë të opozitës dhe a dëshironi të merrni vendim që të futen forcat e sigurisë në Kuvend, nesër?” pyeti Veseli duke kërkuar që Kryesia të deklarohet nëse dëshiron t’i nxjerr deputetët e opozitës nga seanca apo jo, në momentin kur ata fillojnë bllokimin.

Naim Maloku: Prangosja e Kurtit, skandal shtetëror

Maloku: Republika po kthehet në shtet policor – Politika e dështuar po e rrënon shtetin

Aktet e dhunës i dënojnë të gjithë analistët, por asnjëri prej tyre nuk e justifikon arrestimin e liderit opozitar, Albin Kurti, që nxiti reagime të dhunshme në Prishtinë

Arrestimi dhe lirimi i mëvonshëm i liderit opozitar, deputetit të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, cilësohet si një veprim i pamatur i institucioneve të rendit të shtetit të Kosovës, si një pasojë e mungesës së dialogut politik për zgjidhjen e problemeve në vend dhe lidhjen e tyre vetëm me interesat e ngushta partiake të partive në pushtet. Sjellja e tillë e qeverisë në raport me opozitën nga analistët politikë vlerësohet si e nxituar dhe shumë e papërgjegjshme, ndonëse për dhunën e ushtruar edhe nga qytetarët e irrituar për tri orë të plota nuk amnistohet as blloku politik opozitar. Eksperti për çështje të sigurisë, Naim Maloku, sado që e konsideron të papranueshëm skenarin e futjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, që me kodin penal të Kosovës kualifikohet vepër penale, për të cilën duhet të dalin para drejtësisë autorët e kësaj vepre, në mesin e të cilëve është edhe i kërkuari Albin Kurti, ai nuk e arsyeton në asnjë mënyrë qasjen e policisë ndaj këtij rasti, për zgjedhjen e mënyrës dhe momentit për ta ndaluar dhe dërguar në prokurori të shtetit deputetin Kurti… ks

Lirimi nga varësia e “miqve” ndërkombëtarë, çlirim nga përbindëshat tanë politikë! – Nga FLORIM ZEQA

EKSPERIMENTI NEW BUGAJSKI HOUR
Lajmi i parë i javës së shkuar në mediat tona ishte ndarja e çmimit:  “O sa mirë me qenë shqiptar”, atdhetarit Ismail Morina (Ballisti), me motivacionin “ngritja” e dronit me flamurin Autochtonus në stadiumin e Beogradit gjatë përballjes Serbi – Shqipëri,…për ta bërë edhe më të “madhe” këtë ngjarje, Ballistit çmimin ia ndau Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar, Adem Jashari.
Lajmi i dytë (i pakëndshëm) ishte arrestimi i “heroit” kombëtar në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi në Elbasan Arena, me ç’rast në makinën e tij u gjetën “armë pa leje dhe bileta të falsikfikuara” !
Përderisa, fitorja e tri pikëve në tavolinë nga ndeshja në Beograd, është e lidhur me emrin e “Ballistit”, humbja e tri pikëve në fushën e gjelbër në Elbasan Arena mbanë etiketën e klasës politike shqiptare.
Në mes lajmit të parë dhe të dytë, në televizionin publik (politik)-RTK, u bë promovimi i emisionit të ri politik me titull: “NEW BUGAJSKI HOUR”, me moderator analistin dhe ekspertin amerikan për çështjet e Ballkanit, Janosh Bugajski!
Ky ishte sihariq i papritur, jo për faktin pse mysfir i parë i Bugajskit ishte njeriu më kontravers në politikën kosovare, por që me këtë u vërtetua katërçipërisht  varësia e tepruar e institucioneve tona publike nga ndërkombëtarët.
Vënja shpresave çdo herë tek “miqët” ndërkombëtar, dhe lënja e “fatit” çdo herë në duart e ndërkombëtarve të zgjidhjes së problemeve të mbrendshme politike ka quar të krijimi i një kaste politike servile ndaj ndërkombëtarëve dhe arrogante ndaj qytetarëve.
Ashtu sikurse vendimet politike, limitet buxhetore dhe “projektet” zhvillimore të vendit tonë i caktojnë “miqët” ndërkombëtar,…ndërsa qeveria e jonë bënë vetëm më implementimin e tyre.
Me limitet buxhetore që ka sot Kosova, përkundër resurseve të mëdha natyrore, kush e di edhe për sa kohë nuk do të jetë e zonja të ketë industri të zhvilluar dhe prodhime për eksport jasht vendit.
Falë ndihmës ndërkombëtare, serbët (pakicë) e Kosovës tashmë e kanë shtetin e Serbisë në mbrendi të Kosovës, kurse neve shqiptarëve shumicë në vend na ka mbetë ta “gëzojnë” statusin e shtetit multietnik!
Pas nënshkrimit të marveshjeve të nënshkruara në Bruksel, Kosova do të vazhdoj të jetë një treg i lirë i Serbisë, një teritor evropian i pa pranuar nga instancat më të larta multilaterale ndërkombëtare siq janë BE dhe OKB.
Edhe sikur të ndodhë nesër pranimi i nië identiteti artificial nga organizatat e sipërpërmendura, do të lë pasoja afatgjata për të ardhmën e popullit shqiptar të Kosovës.
Identiteti artificial i shtetit të Kosovës, i një shoqërie multietnike, më simbole (himn e flamur) krejtësisht antikombëtare, do të bëjë që gjenereatat e ardhshme të identifikohen më diqka që nuk është e tyre.
Që kjo të mos i ndodhë shtetit të Kosovës, do të ishte mirë që sa më parë të bëhet dekompozimi i multietnicitetit në shtetin etnik 90 % me popullatë shqiptare, në mënyrë që gjenertave të ardhshme të mos ju mbetët nëpër këmbë “gogoli” i multietnicitetit, si shkak i konflikteve të reja ndëretnike.
Lideret politik të së arhmës së afërt duhet ta kenë prioritet në agjendat e tyre politike ndryshimin e këtij realiteti të mbrapsht dhe antikombëtar të shtetit të Kosovës.
Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodhë mbrenda dhjetëvjetëshit të parë, atëhere jo vetëm së do të jetë më e vështirë,…do të vihen në lajthitje të madhe pasardhësit tonë më identitetin e tyre shtetëror dhe kombëtar.
Edhe pse të gjithë e kemi gojën plot ndryshime, megjithatë nuk po e gjejmë dot rrugën e ndryshimeve !
Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin rasti i fundit për kthimin e shpresave të qytetarëve për ndryshime pozitive përmes votës së lirë. Lidhja e koalicionit të madhë paszgjedhor PDK-LDK, i ardhur si rezultat presionit ndërkombëtar në njërën anë, dhe i interesave meskine të një grupi të vogël njerëzish pa moral, pa ndjenja kombëtare dhe njerëzore në anën tjetër, Kosovës po i kushton me humbje territori dhe sovraniteti shtetëror.
Varësia e skajshme e politikës kosovare ndaj ndërkombëtarëve dhe heshtja e popullatës garanton stabilitetin politik që kërkojnë “miqët” ndërkombëtarë, përderisa mungesa e zhvillimit ekonomik të vendit ka prodhuar varfërinë e dhe mjerimin social në vend.
Vetëm një popullatë shqiptare e varfër, e heshtur më një klasë politike nënshtruese ua garanton të huajve jetëgjatësinë e tyre në Kosovë!
Andaj më shumë së pushtetarëve aktual, ju intereson ndërkombëtarëve që të mos ketë protesta dhe demonstrata që qojnë në prishjën e “stabilitetit” politik.
Lënja e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër së heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.
Nëse dëshirojmë ndryshime, duhet t’u bëhemi barrë në qafë pushtetarëve me kërkesa të vazhdueshme për vende të reja pune, ulje taksash, sigurime shëndetësore arsim cilësor,…organizimi i protestave gjithandej vendit për rritje pagash, ulje çmimesh të konsumit të përditshëm, furnizim me energji elektrike dhe ngrohje në këto ditë të acarta të dimrit,…do ta bënin Qeverinë të gjunjëzohej shpejtë para kërkesave popullore.
Sa më parë të lirohemi nga varësia e “miqëve” ndërkombëtar, aq më shpejtë do ta çlirojmë vendin nga përbindëshat politik, aq më e afërt do të jetë dita e ndryshimeve pozitive.
Eksperimenti “NEW BUGAJSKI HOUR” vazhdon….!

News24, Albin Kurti: Mustafa e Thaçi të shitur tek Serbia, nuk ndalemi deri në anulimin e Zajednicës dhe demarkacionit

TIRANË – Një ditë pas ndalimit dhe mbajtjes për 3 orë me radhë nga Policia e Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-lideri i saj ka thënë për News24 se nuk do të ndalet deri në anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka treguar momentet e para të arrestimit duke u shprehur se vetëm falë protestave policia e la të lirë.

“Unë mbrëmë po kthehesha nga Shkupi për në Prishtinë, dhe në hyrje të Prishtinë një task-forcë e policisë së Kosovës me 15 policë na kishte organizuar një pritë dhe kërkuan të dal nga makina. U kërkova të më tregonin urdhër-arrestin apo fletë-arrestin më thanë se është urdhër i prokurorit, por nuk kishte emër prokurori. Pas refuzimit tim me nxorën dhunshëm nga makina, rrugës më premtuan se kur të shkonin në postë do më tregonin urdhrin. Por as atje nuk ma treguan, më morën në pyetje hetues, por jo prokuror. Më thanë nuk je i arrestuar, por i ndaluar, kur i thashë se a mund të shkoj më thanë jo nuk mund të shkosh. Deshën që të më intervistojnë për atë që ndodhi në parlament, por nuk dhashë asnjë deklaratë. Dhashë vetëm gjeneralitetet e mia. E gjitha ka të bëjë me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Prokurori nuk erdhi, thanë që janë duke biseduar me prokurorin. Ata kishin të drejtë të më mbanin 6 orë, por më liruan pas 3 orësh për shkak të protestave”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca nëse do të dëshmonte në prokurori për ngjarjet në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u hodh gaz lotsjellës, Kurti tha se nuk do të përgjigjej në një situatë hipotetike. Ai deklaroi se VV nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojë të vijojnë seancat në Kuvend.

“Nuk kam parë ende asnjë dokument. Nuk do të isha përgjigjur në një situatë të tillë hipotetike, këtu gjithçka është e parregullt. Vetëvendosje është këmbëngulëse në kundërshtim të Zajednicës (asociacionit të komunave serbe) dhe demarkacionit me Malin e Zi. Nuk do të lejojmë që të vazhdojnë seancat e Kuvendit. Nga marrëveshja Mustafa e boshnjëzon Kosovën. Marrëveshja me Malin e zi, i fal 9 mijë hektarë. Ne jemi të vendosur që të mos ndalemi, deri sa ti tërheqin këto marrëveshje të dëmshme dhe të turpshme”, theksoi deputeti i VV.

Kurti justifikoi mënyrat e dhunshme të përdorura nga opozita në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të ketë shumicë kundër republikës.

“Nuk mund të ketë shumicë numrash kundër republikës. Koalicioni qeverisës nuk mund të rebelohet kundër republikës së Kosovës, duke e futur këtë kalë të Trojës, asociacionin e komunave serbe”, u shpreh ai.

Kurti ka shpjeguar pse VV është kundër asociacionit të komunave serbe. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në të gjitha fushat, do të kenë qasje në sistemin kosovar, por qeveria nuk do të ketë qasje tek këto komuna.

“Në Kosovë janë 10 komuna me shumicë serbe, si rezultat i planit të Ahtisarit. Tani këto komuna duan të bëhen bashkë kundër Kosovës. Pra qeveria e Kosovës do të formojë diçka që nuk e shpërbën dot. Ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në shumë fusha. Do ketë asamblenë e vetë, presidentin dhe zëvendëspresidentin, flamurin e saj, do ketë të drejtë të hyjë në marrëdhënie me vende të tjera, me Serbinë e Rusinë. Komandant i Policisë për veriun thuhet se do të jetë serb. Pra ata kanë qasje në sistemin tonë, ndërsa ne nuk kemi tek ata. Do financohet nga Beogradi”, tha Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes tha se ata që i kanë pranuar këto marrëveshje janë njerëz të shitur, dhe po kërkojnë të shesin edhe Kosovën.

“Ne kemi shumë njerëz të shitur, ata nuk mendojnë, ata janë të shitur. Qëndrimet e tyre pasojë e faktit që janë të shitur. Po kërkojnë të shesin edhe Kosovën. Është shkelur kushtetueshmëria e Kosovës. Ne nuk kemi ligj për referendum. 9 veta në gjykatën Kushtetuese do vendosin për këtë, kur aty janë 3 të huaj dhe njerëz të biznesit. Gjykata kushtetuese në Kosovë nuk është as Gjykatë dhe as Kushtetuese. Kosova është në krizë të thellë për shkak të kësaj qeverie, që pas marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Jabllanovic. Këta janë marrë vesh me Serbinë dhe po sundojnë Kosovën, kjo është kriza. Nëse bie në krizë edhe një marrëveshje me Serbinë është mirë, por nuk ka marrëveshje me Serbinë në krizë. Nga njëra anë po na zhysin në borxhe tek FMN dhe nga ana tjetër po na boshnjëzojnë”, deklaroi Kurti.

Analistët: Pa dialogun pushtet-opozitë shteti i Kosovës nuk ka të ardhme

Vendosja e dialogut ndërmjet pushtetit dhe opozitës është rruga e vetme për tejkalimin e gjendjes së tensionuar politike në Kosovë, thonë analistët në Prishtinë.

Sipas tyre, edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duhet të përfshihet duke i shfrytëzuar autorizimet kushtetuese për funksionimin e institucioneve.

Mungesa e dëshirës nga pushteti për vendosjen e dialogut me opozitën, apo kundërshtimi që opozita u bën marrëveshjeve ndërkombëtare, siç është ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të mbështetur nga vendet që e ndihmuan shtet-ndërtimin e Kosovës, nga publicisti Belul Beqaj konsiderohen si qasje të rrezikshme.

Sipas tij, në rast se nuk ka zgjidhje tjetër, spektri politik do të duhej të ndërtonte një platformë mbi bazën e të cilës vendi do të shkonte në zgjedhje të reja të parakohshme.

“Karshi kërkesave për anulimin e nënshkrimeve të marrëveshjeve të Brukselit dhe rishikimin e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, më parë do t’i relativizonte raportet kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Largimi i tij dhe formimi i një qeverie të karakterit të ekspertëve do ta stabilizonte potencialisht situatën dhe në afatin relativisht të mesëm do të krijoheshin parakushtet për normalizimin e rrethanave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar Beqaj.

Në anën tjetër, publicisti Halil Matoshi mendon se pavarësisht rezultateve partitë në pushtet dhe ato në opozitë do të duhej të negocionin.

Ai e fton edhe presidenten e Kosovës që t’i shfrytëzojë autorizimet kushtetuese, sipas të cilave ajo duhet të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Në këtë mes, një rol të veçantë Matoshi e parasheh edhe tek ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëtar, ngaqë spektrin politik në vend e cilëson si tashmë të “çoroditur”.

“Në këtë situatë mund të ndihmojnë edhe ambasadorët e shteteve të kuintit, përkatësisht të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e vetmja mënyrë për të dalë nga bllokada do të ishte një marrëveshje e re, kontratë e re mes pushtetit dhe opozitës. Varianti tjetër do të ishte përdorimi i dhunës legjitime të shtetit, përkatësisht sigurimi i Kuvendit përmes mekanizmave shtetëror”, ka theksuar Matoshi.

Bllokimin e punës së institucioneve, Halil Matoshi e konsideron si një gjest të papranueshëm, pasi që, mes tjerash, një veprim i tillë, sipas tij, mund të krijon një precedent të rrezikshëm edhe për të ardhmen.

“Në demokraci pushteti i takon shumicës, por të drejtat gjithashtu i takojnë pakicës. Por, pa negociata, dialog politik nuk do të duhej që tutje të zvarritet apo të bllokohet shtëpia e sovranit, përkatësisht Kuvendi i Kosovës”, ka nënvizuar Matoshi.

Ndërkohë, Belul Beqaj vlerëson se mungesa e dialogut do të shpinte Kosovën drejt një situate të paparashikueshme, çka është vërtetuar edhe me zhvillimet e fundit, qoftë në Kuvendin e Kosovës apo edhe me protestat e dhunshme.

“Po shihet qartazi që nga opozita po bëhet një përpjekje për t’i instrumentalizuar qytetarët, ndërkaq në anën tjetër (nga pozita) po bëhet një përpjekje që të instrumentalizohen edhe mekanizmat e pushtetit. Një ballafaqim i qytetarëve të instrumentalizuar dhe mekanizmave të pushtetit të instrumentalizuar vetëm sa do ta dobësonte shtetin e Kosovës dhe do ta shpinte në drejtim të shtetit të dështuar”, ka thënë Beqaj.

Përplasjet dhe rritja e tensioneve politike mes pushtetit dhe opozitës ka pasuar nënshkrimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Kjo marrëveshje sipas opozitës e defunksionalizon shtetin dhe i hap rrugë ndarjes së Kosovës. Po ashtu, pakënaqësitë e opozitës janë rritur edhe pas marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit, për të cilën pretendon se Kosova ka humbur nga territori i saj.

Andaj, tani opozita ka bllokuar punën e Kuvendit me kërkesën që zhbllokimi do të ndodhë vetëm nëse Isa Mustafa i tërheq nënshkrimet nga këto marrëveshje.

Prishtinë: Departamenti për Krime të Rënda vazhdon hetimet ndaj opozitës

Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe intervistimi i deputetëve të dyshuar, për të cilën arsye sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti

 

PRISHTINË – Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet kundër deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij hetimi ka qenë i planifikuar edhe intervistimi i deputetëve të dyshuar, për të cilën arsye sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrëmë është ndaluar deputeti Albin Kurti.

Deputeti Kurti është intervistuar në polici në prezencë të avokatit mbrojtës dhe menjëherë pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar dhe prokuroria do ta njoftojë opinionin me kohë për rrjedhën hetimore.

Skandali me bordet, miqtë e ministrave marrin rroga më të larta se kryeministri e presidenti

Voal – Anëtarët e Bordeve Drejtuese në Shqipëri marrin paga marramendëse, më të larta se sa vetë Presidenti apo Kryeministri.

Anëtarët mund të jenë pjesë të disa bordeve dhe në jo pak raste, ata marrin paratë edhe kur nuk marrin pjesë në këto mbledhje.

Anëtarët e Bordeve janë zakonisht miq të ministrave. Historia përsëritet si gjatë qeverisjes së djathtë, ashtu edhe asaj të të majtë.

Ligji në fjalë është i pandryshueshëm prej vitesh, e ndërkohë një kastë e caktuar zyrtarësh pasurohet me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon miratimin e një ligji, i cili do të vinte një tavan për pagesat.

Më poshtë njoftimi i plotë i KLSH:

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit Nr. 527 Prot., datë 15.05.2015 ka ushtruar auditim tematik në Institucione Qendrore dhe Shoqëri Anonime për funksionimin e bordeve drejtues dhe strukturave të tjera kolegjiale drejtuese të tyre, në përfundim të të cilit KLSH i ka përcjellë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Ministrisë së Financave, Ndërmarrjeve të Ujësjellësa-Kanalizimeve në rrethe dhe institucioneve të tjera përkatëse, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare me Vendim nr 137, datë  30.09.2015  të Kryetarit të KLSH-së.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

  1. Në zbatimin e kuadrit rregullator ekzistues mbi krijimin përbërjen dhe shpërblimin e bordeve/komisioneve dhe Këshillave Mbikëqyrës, rezultoi një numër i konsiderueshëm punonjësish kryesisht të nivele të larta menaxheriale (Drejtorë Kabineti të Ministrave, Këshilltarë, Sekretarë të Përgjithshëm, Drejtorë të Përgjithshëm, Zëvendës Ministra, Drejtorë të Drejtorive etj) të angazhuar në kohë të pjesshme në cilësinë e kryetarëve/anëtarëve në borde, komisione, këshilla dhe organe të tjera kolegjiale.
    Kjo kategori punonjësish përveç pagës në ushtrim të funksioneve te tyre organike, përfiton të ardhura të tjera nga angazhimi në këto struktura kolegjiale, që shkojne nga 2-4 struktura apo edhe më shumë per çdo punonjes, si dhe në disa raste edhe në struktura të sektorit privat, duke perfituar fonde të konsiderueshme në trajtën e shpërblimeve.
    Konstatojmë se, në aspektin e performancës në punë dhe kontributit të këtyre punonjësve është realisht e pamundur si kohë fizike dhe jo vetëm kaq, angazhimi njëherazi si në institucionet ku janë të punësuar, ashtu edhe kontributi real në përbërje të bordeve, komisioneve, këshillave apo organeve të tjera kolegjiale. Impakti në këto raste është një pjesëmarrje formale, jo funksionale, jo kontribuese, pa efektivitet dhe i vetmi përfitim janë shpërblimet e konsiderueshme monetare vetjake, me pasojë abuzimin  me fondet publike.
  2. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të vënë në dispozicion, rezultuan pagesa të konsiderueshme të anëtarëve të Këshillave Mbikëqyrës në shoqëritë anonime ndërkohë që këta punonjës nuk kanë marrë pjesë ose kanë marrë pjesë në një numër minimal mbledhjesh, duke sjellë për pasojë absurditete te tilla të pagesave kundrejt mungesës së kontributit, dhe shpërblime për punë që nuk është kryer nga përfituesi, me impakt të drejtpërdrejte abuzim të fondeve publike. 
  3. Nga auditimi  u konstatuan raste të përfitimit të shpërblimeve të ekzagjeruara për pjesëmarrje në këshillat e bordet, të  cilat shkojnë nga 60.000 -162.000 lekë/për mbledhje, në disa raste edhe duke mos marrë pjesë në mbledhje! 
  4. Kemi vërejtur se nga ana e titullarëve të Ministrive janë emëruar pjesëmarrës në borde, komisione, këshilla apo organe të tjera kolegjiale Drejtorë Kabineti dhe Këshilltarë Ministrash të cilët referuar Ligjit nr 152/2013 “Për nëpunësin civil” neni 2 pika gj “Fusha e veprimit”dhe neni 4 “Përkufizime” pika c nuk përfshihen në kategorinë e punonjësve të nëpunësve civil por “Funksionarë kabineti”. Pjesëmarrja në struktura kolegjiale e kësaj kategorie punonjësish, e cila nuk gëzon statusin e nëpunësit civil sjell për pasojë ndërrimin e tyre sa herë që ndërrohen titullarët e Ministrive, ndërkohë që Këshillat Mbikëqyrëse/Drejtuese janë organe drejtuese te shoqërive me funksione vendimmarrëse dhe mbikqyrëse e në këtë aspekt duhet të funksionojnë si organe thellësisht teknike.             
  5. Në një numër të konsiderueshëm shoqërish anonime, nga Titullarët e Ministrive ( Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtise, Turizmit dhe Sipermarrjes(MZHETTS), Ministria e Financës dhe Ministria e Transporteve dhe Industrisë) jane propozuar dhe emëruar si anetare ne Keshillat Mbikqyres punonjës, detyrat funksionale te te cileve nuk kishin të bënin me veprimtarinë dhe sektorin në të cilën bënte pjesë shoqëria anonime, duke sjellë për pasojë mungesën e ekspertizës teknike dhe për më tepër shpenzimin e fondeve për shpërblimin e tyre për një punë/shërbim  të cilën ata nuk mund ta ofrojnë duke shkaktuar në këtë mënyrë abuzime me fonde publike dhe ulje të performancës funksionale dhe vendimmarrëse  të këtyre strukturave.
  6. Nga auditimi u konstatua se në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 642, datë 11.10.2005 “Për Këshillat Mbikqyrës të shoqërive anonime shtetërore” në Udhëzimin e METE Nr. 318, datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikqyrës në shoqëritë anonime shtetërore”, nuk është përcaktuar se kush është struktura përgjegjëse në Ministri që kryen përzgjedhjen e kandidaturave si dhe struktura që duhet të mbajë bazën e të dhënave të angazhimit të punonjësve të Ministrisë apo dhe të institucioneve vartëse të angazhuar në struktura kolegjiale. Në udhëzimin nr. 318, datë 08.04.2009 vetëm për përfaqësuesit e MZHETTS, është përcaktuar se kandidaturat paraqiten nga drejtues të dikasterit. Për ministritë e tjera të linjës nuk ka një procedurë të përcaktuar, pra rezulton boshllëk procedural se si dhe cila strukturë në dikaster i propozon përfaqësuesit në Këshillat Drejtues.

Në opinion të përgjithshëm, KLSH konstaton se Këshillat Mbikqyrës, me vendimmarrjet e tyre favorizuese dhe arbitrare jo vetëm nuk luajnë një rol mbikqyrës, drejtues dhe përcaktues për zhvillim, me efekte rritjen e performancës së shoqërive anonime shtetërore, por, krahas paefektshmërisë së tyre, me nënshhtrimin e plotë ndaj atij që u paguan borderotë, në disa raste shfaqen dhe në rolin e “avokatit mbrojtës” ndaj administratorëve abuzivë dhe shkelësve të ligjit, dëshmi jo vetëm e mungesës së profesionalizmit, por edhe  papërgjegjshmërisë së këtyre organeve. 

Në përfundim të auditimit, KLSH ka dhënë një sërë rekomandimesh për përmirësimin e bazës ligjore dhe funksionimit të organeve kolegjiale, ndër të cilat më kryesoret janë:

  1. Për kufizimin e numrit të pjesëmarrjes në  strukturat kolegjiale dhe abuzimet qe rrjedhin me fondet shteterore, kemi rekomanduar që funksionarëve politikë, nëpunësve civilë dhe punonjësve të administratës publike t’u ndalohet pjesëmarrja me të drejtë pagese në më shumë se një këshill, bord, komision apo organ tjetër kolegjial në njësitë e qeverisjes qendrore dhe në shoqëritë anonime. 
    Përjashtohen nga kufizimi i mësipërm anëtarësimi me zgjedhje në Organet e Arsimit të Lartë Publik; i) Këshilli Administrativ ii) Senati Akademik iii)  Këshilli i Fakulteteve.
  2. Masa e shpërblimit mujor për funksionarët politikë, nëpunësit civilë dhe punonjësit e administratës publike e përfituar si e ardhur nga paga, në ushtrim të funksioneve organike të punonjësit si dhe të ardhurat e realizuara nga pjesëmarrja me kohë të pjesshme në struktura kolegjiale (këshilla, borde, komisione apo organe të tjera) nuk duhet të kalojnë nivelin e pagës mujore të Presidentit te Republikes ose të Kryeministrit, pavarësisht numrit të strukturave që ata marrin pjesë.
  3. Në kuadrin e ri rregullator të vendoset kufizimi sipas të cilit: Përjashtohen nga pjesëmarrja në këshilla, borde, komisione apo organe të tjera kolegjiale punonjësit që në  ligjin nr 152/2013 “Për nëpunësin civil” përfshihen në kategorinë “Funksionarë kabineti”.
  4. Në funksion të eliminimit të shpërblimit të anëtarëve të Këshillave Mbikqyrës pa marrë pjesë në mbledhje, kemi rekomandua që në kuadrin e ri rregullator të parashikohet një klauzolë ku shpenzimet për kryerjen e pagesës së punonjësve në përbërje të Këshillave Mbikqyrëse të kryhen bazuar në dokumentin vërtetues të pjesëmarrjes në mbledhje.
  5. Të rishikohen kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillave Mbikqyrës në shoqëritë anonime, duke synuar përcaktimin e kritereve specifike në drejtim të kualifikimeve, përvojës, eksperiencës dhe ekspertizës teknike që duhet të disponojë kandidati dhe që kanë lidhje organike me aktivitetin që zhvillon shoqëria anonime.
    Krahas sa më sipër, si kriter parësor duhet që kandidati të jetë personalitet i fushës, të emërohet nga strukturat shtetërore që kanë në administrim shoqërinë anonime shtetërore. 
    Si kriter i veçantë duhet të jetë dhe orientimi i kandidaturave drejt profesorëve të universiteteve publike që janë profesionistë të fushës, ekspertëve, gazetarëve ekonomikë etj, pra individë të spikatur në fushën dhe aktivitetin që mbulon shoqëria.
  6. Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë përfaqëson një bord specifik me detyra të rëndësishme dhe komplekse të lidhura me drejtimin dhe monitorimin e një tregu të rëndësishëm si ai monetar, me reflektime të qarta dhe të mprehta në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, dhe në këtë aspekt angazhimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues në organe të tjera kolegjiale sjell për pasojë dhe risqet potenciale gjatë procesit të vendimmarrjes. Kemi rekomanduar që në kuadrin e ri rregullator të vendoset kufizimi sipas të cilit: Anëtarëve të Këshillit Drejtues të Bankës së Shqipërisë u ndalohet pjesëmarrja në borde/komisione/këshilla apo organe të tjera kolegjiale të administratës shtetërore apo enteve publike, përveç strukturave të fushës akademike dhe shkencore.
  7. Në funksion të unifikimit të mënyrës së pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kemi propozuar qe Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës,  Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ministrinë e Financave, të ndërmarrin nismën ligjore dhe të paraqesin në Këshillin e Ministrave, projekt-vendim mbi mënyrën  dhe  masën e pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a, kryesisht në  rregullimin e problemeve të rezultuara nga auditimi:

Në këtë kuadër të rishikohet numri i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, me synim reduktimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, pasi deri tani si shoqëritë me një numër minimal punonjësish dhe ato me mbi 600 punonjës kanë të njëjtin numër prej 6 anëtarësh.

Prishtina – mbrëmë ishte plot me protestues, sot plot me policë

Kryeqytetit iu kthye qetësia e natës, për momentin rrugët kryesore që të shpien tek stacioni policor “Qendra”, vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Në rrugë janë edhe më tej disa nga forcat e policisë të cilat po bëjnë verifikimin e pasojave që la konfrontimi i protestuesve me policinë, sonte vonë. Në rrugë edhe më tej shihen gurët e protestuesve dhe disa nga mbetjet e gazit lotsjellës me të cilët policia tentoi të shpërndante protestuesit.

Në rrugë janë edhe më tej disa nga forcat e policisë të cilat po bëjnë këqyrjen e pasojave që la konfrontimi i protestuesve me policinë, sonte vonë.

Në rrugë edhe më tej shihen gurët e protestuesve dhe disa nga mbetjet e gazit lotsjellës me të cilët policia tentoi të shpërndante protestuesit.

Krasniqi: Zoti e ka dënuar Kosovën që të sundohet nga vasalë

“Nuk ka asnjë dyshim se liria, siguria e demokracia në Kosovë është e rrezikuar nga sundimtarë të egër e despotë, nga njerëz që për interesat e tyre meskine janë në gjendje të rrezikojnë gjithçka të fituar me gjak e flijime të shumta për liri”.

“Këta njerëz me veprimet e tyre, me politikat e tyre janë duke mbytur çdo shpresë lirie e demokracie. Këta njerëz për çdo ditë, janë duke treguar me kokëfortësi, se ndryshimet demokratike janë të pa shpresa me mjete demokratike.
Nuk është fatkeqësi, pse këta tiranë sillen në ketë formë, por pse e kanë një mbështetje nga jashtë, për të vetmen arsyeje, qe t’i vazhdojnë marrëveshjet kompremistuese në favor te Serbisë, ani pse brenda kësaj kreaturë të quajtur “shtet demokratik”, donë të mbysin çdo zë demokratik përmes tiranisë se numrave”.

Krasniqi thotë se gjatë gjithë këtyre viteve, te lirisë e të pavarësisë, Kosova nuk u ndihmua as edhe njëherë për te ndërtuar institucione kredibile demokratike, nuk u ndihmua për sundim te ligjit e rend e as për zhvillim ekonomik e punësim etj.

“Kështu si po sillen tiranët qeveritar tek ne, është dëshmi se demokracia është më shumë se e rrezikuar. Kështu para pak viteve janë sjellë sundimtarët vasal (komunistë) në Kosovë. Me gjasë edhe sot Zoti e ka dënuar Kosovën që të sundohet nga vasalët e ri?!”.

“Kur në ketë vend do te qeverisin te zgjedhurit e popullit në zgjedhje të lira e të ndershme?!
Prej natës se sotme, qeveritarët idhnak, qytetarëve te Prishtinës ua morën qetësinë!
Kujdes, shërbëtori komunist nuk mund te konvertohet në qeveritar demokrat!”./Politiko.net

Mbrohet në heshtje në gjyq djali i Isa Mustafës dhe 6 të tjerë

për 1 600 udhëtarët e lënë në aeroport më 2009

Gjatë seancës, të hënën, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, që të gjithë kanë zgjedhur të mbrohen në heshtje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mustafa dhe gjashtë të tjerët: Ismail Berisha, Nexhat Bala, Sibush Haziri, Hamzi Rrahimi, Seladin Ujkani dhe Shefqet Qerkini po përballen me drejtësinë lidhur me ngjarjen e anulimit të fluturimeve të më shumë se 1.600 udhëtarëve në vitin 2009, të cilët kishin mbetur në Aeroportin e Prishtinës.

Sipas Prokurorisë, këta udhëtarë kishin ardhur për pushime nga Gjermania dhe kishin ngelur në aeroport verën e 2009-s, pasi që kompania spanjolle “Pronair” nuk e kishte dërguar aeroplanin për t’i bartur ata në Gjermani. Ata ishin detyruar të blinin bileta të tjera shumë të shtrenjta.

Në anën tjetër, po sipas aktakuzës, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit nuk i kishte dëmshpërblyer ata, edhe pse kishte mundësi që me garancinë bankare prej 500 mijë eurosh që kishte lënë kompania “Kosova Air BIZ” të kompensoheshin udhëtarët.

Përleshje në Prishtinë – ndalohet e pastaj lirohet Albin Kurti

Policia e Kosovës hodhi gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë grupe veprimtarësh të lëvizjes Vetëvendosje që u hodhën në protesta pas ndalimit të deputetit të kësaj lëvizjeje Albin Kurti.

Zoti Kurti u ndalua mbrëmjen e së hënës pas zhvillimeve të javës së kaluar në parlamentin e Kosovës, kur zoti Kurti hodhi gaz lotsjellës për të penguar seancën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë.

Lëvizja Vetëvendosje tha se disa veprimtarë të saj janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë e cila provoi të shpërndajë protestuesit që hodhën gurë mbi stacionin e policisë në Prishtinë. ku po mbahej zoti Kurti. Policia tha se shtatë pjesëtarë të saj janë lënduar, ndërsa tre persona janë shoqëruar në polici.

Disa makinave u është vënë zjarri, ndërsa kontejnerë mbeturinash janë përdorur si barrikada nga protestuesit e lëvizjes Vetëvendosje të cilëve ju bashkuan edhe përfaqësues të partive tjera opozitare. Ata akuzuan policinë për siç thuhet, rrëmbimin e zotit Kurti.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha. Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, thanë të premten se “shteti është në rrezik”.

Drejtuesit e institucioneve vendase dhe ambasadat euro-perëndimore dënuan veprimet e opozitës duke i bërë thirrje asaj që të heq dorë, siç thuhet, nga përdorimi i dhunës si taktikë politike.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale, javën e ardhshme, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi do të mbahet më 13 tetor dhe sipas zyrës së zonjës Mogherini synon të shqyrtojë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve.

Policia me gaz lotsjellës tenton shpërndarjen e aktivistëve të Vetëvendosjes

Pas arrestimit të Albin Kurtit – Vetëvendosje fton qytetarët që të bashkohen sa më shumë në mbrojtje të Republikës

Me gaz lotsjellës Policia e Kosovës po tenton të shpërndaj turmën e aktivistëve që janë mbledhur para Stacionit Policor Qendra, për të kundërshtuar arrestimin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Vetëvenndosje ka treguar se “ka filluar intervenimi brutal i Njësive Speciale të Policisë, ndaj qytetarëve të grumbulluar para stacionit policor, në mbrojtje të Albin Kurtit”. Ata kanë ftuar

qytetarët që të bashkohen sa më shumë në mbrojtje të Republikës.

Mësohet se nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi është lënduar, derisa portali koha.net do t’ju mbajë të informuar për ecurinë e kësaj ngjarjeje.

Lëvizja Vetëvendosje: Policia arreston Albin Kurtin

Vetëvendosje: kjo shpie në krizë edhe më të madhe në vend

Lëvizja Vetëvendosje njofton se Policia arrestoi Albin Kurtin.

“Tani po e dërgojnë tek stacioni qendra në Prishtinë (ish 92-shi, rruga “Luan Haradinaj”)”, thuhet në njoftim, raporton Koha.net.

Subjekti politik i Vetëvendosjes ka ftuar të gjithë aktivistët, mbështetësit dhe qytetarët që të grumbullohen para stacionit të Policisë.

“Shteti policor nuk mund të kalojë. Reagimi qytetar është i pashmangshëm”, përfundon komunikata.

Pak më parë Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë të ditur se në magjistralen Ferizaj – Prishtinë, Policia ndaloi deputetët Albin Kurti dhe Glauk Konjufca së bashku me dy aktivistë të tjerë të Lëvizjes që ishin duke u kthyer nga aktivitetet që kishin në Shkup.

“Në shpërputhje të plotë me ligjin, pa asnjë dokument apo urdhërarrest, Policia po do që t’i arrestojë ata. Rreth 10 policë po i mbajnë të ndalur deputetët dhe dy aktivistët duke tentuar disaherë që t’i arrestojnë ata”, thuhet në njoftimin për media të këtij subjekti politik.

“Pozita ka vendosur që përmes dhunës policore ndaj deputetëve, ta mbrojë “Zajednicën”. Këto veprime të papranueshme do ta tensionojnë situatën, dhe përgjegjësinë për këtë e mban pushteti. Shteti policor dhe masat e dhunshme janë të patolerueshme dhe do të shpien në krizë edhe më të madhe në vend”, përfundon ky njoftim.

UNESCO – Kosova hyn në rendin e ditës

Bordi ekzekutiv i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka vendosur ta përfshijë propozimin e rekomandimit për pranimin e Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Petrit Selimi, i cili ka theksuar se tashmë kanë mbetur rreth 10 ditë deri te votimi i rekomandimit për pranimin e Kosovës në UNESCO nga Bordi Ekzekutiv i kësaj organizate.

“Sot Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s e ka aprovuar agjendën, e cila e ka përfshirë edhe draft-rezolutën për rekomandimin pozitiv për pranimin e Kosovës si anëtare më të re të UNESCO-s”.

“Ky është një hap shumë i rëndësishëm, sepse janë tejkaluar çfarëdo kurthe procedurale që kanë mundur të bëhen. Tash e kemi para vetes një javë apo 10 ditë, derisa të votohet për rezolutën”, tha zëvendësministri Selimi.

Bordi ekzekutiv i UNESCO-s ka 58 anëtarë, prej të cilëve 32 e kanë njohur shtetin e Kosovës, ndërkohë që dhjetëra prej tyre edhe më parë e kanë mbështetur kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Sipas, zëvendësministrit Selimi, votimi në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s për rekomandimin pozitiv për Kosovën, pritet të ndodhë rreth datës 21 tetor.

Në propozim-vendim thuhet që Bordi ekzekutiv sjellë rekomandimet që Konferenca e përgjithshme ta pranojë Kosovën në anëtarësinë e UNESCO-s, duke pasur parasysh që “Kosova e pranon kushtetutën e organizatës dhe është e gatshme t’i përmbushë obligimet që dalin nga anëtarësia, si dhe të jetë pjesëmarrëse në shpenzime”.

Zëvendësministri Selimi ka shtuar se konsensusi që është arritur sot në aprovimin e agjendës në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s, i jep Kosovës argument të fortë për të shpresuar se të gjitha shtetet do të reflektojnë për të votuar në dobi të Kosovës, fillimisht në Bordin ekzekutiv e më pas edhe në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, që pritet të mbahet në nëntor.

“Gjithsesi, mungesa e antagonizmave sot dhe pëlqimi i gjerë që ka arritur agjenda në pikën e Kosovës është një ogur i mirë për zhvillimet e mëtutjeshme”.

“Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës nuk do të kishte aplikuar për anëtarësim në UNESCO, po të mos i kishte bërë kalkulimet që gjasat janë të mira për këtë. Kosova meriton të jetë anëtare e UNESCO-s, sepse ashtu zhvillojmë arsimin, kulturën dhe shkencën tonë dhe besoj se kjo kërkesë e Kosovës ka hasur në simpati globale”, tha zëvendësministri Selimi.

Vendimi në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s sillet me shumicë votash, ndërkaq në qoftë se propozimi pranohet, atëherë vendimi përfundimtarë për pranimin e Kosovës në UNESCO, do të sillet në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet nga 3 deri më 18 nëntor.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka pranuar se vendi i tij i ka gjasat e vogla për të ndaluar një vendim pozitiv për Kosovën në Bordin ekzekutiv të UNESCO-s, por sipas tij përpjekjet e Serbisë do të përqendrohen për Konferencën e përgjithshme të kësaj organizate.

“Porosia ime për ta është që ne jemi vend i vogël, por do të luftojmë për Konferencën e përgjithshme. Do të luftojmë me gjithë zemër, me fuqinë tonë dhe të drejtën, për të mbrojtur atë që i takon Serbisë, serbëve dhe Kishës serbe. Do ta mbrojmë të vërtetën. As turqit, me shekuj, nuk kanë arritur të na e rrëmbejnë. Pra, le të urdhërojnë”, ka theksuar Vuçiq.

Ai po ashtu ka theksuar se edhe në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s, Serbia i ka gjasat e pakta, por, siç ka thënë ai, ajo do të luftojë deri në momentin e fundit.

Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s e përbëjnë 195 vende anëtare dhe secili vend ka një votë, ndërkaq që për sjelljen e vendimit nevojiten dy të tretat e votave.

Kërkesën për pranimin e Kosovës në UNESCO e ka paraqitur formalisht Shqipëria, të cilën kërkesë e kanë mbështetur 45 vende.


Bekim Bislimi

[email protected]

Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Vecernje Novosti: Serbia pajtohet me pavarësinë e Kosovës

E përditshmja serbe “Vecernje Novosti” ka publikuar një artikull ku thuhet se në draftin e platformës, në kapitullin 35, për anëtarësimin e Serbisë në BE, kusht është që Serbia duhet të heq dorë nga të gjitha elementet e shtetësisë në Kosovë.

Megjithatë, sipas gjetjeve të gazetës beogradase, edhe pse Serbia nuk do të kushtëzohet me njohjen e pavarësisë së Kosovës, një kurth tjetër që po përgaditet është që shteti serb të përcaktojë kufijtë shtetërorë me Kosovën, që do të thotë se Serbia duhet të heqë dorë nga Kosova si njësi territoriale e saj.

Sipas medias serbe, versioni aktual i dokumentit, që deri tash është ruajtur në kabinetin e komisionerit për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, dhe është bërë me udhëzimet e shteteve të Kuintit, vetë kryeministri serb Aleksandar Vuçiq e ka quajtur “të tmerrshëm”, në një masë të madhe kopjon marrëveshjen midis dy Gjermanive, dy shtete tërësisht të pavarura që nuk e njohin njëra-tjetrën formalisht.

Sipas Komisionit Evropian, Serbia është duke kërkuar mënyrë për t’u pajtuar me çdo gjë, që nga neni 14 i Marrëveshjes së Brukselit, i cili qartëson se “të dyja palët duhet të angazhohen që të mos e bllokojnë njëra-tjetrën, apo inkurajojnë të tjerët që të bllokojnë integrimin evropian të ndonjërës prej palëve.”

Mbi këto baza, Beogradi pajtohet që Kosova të anëtarësohet në organizatat rajonale ndërkombëtare.

Kryetari i Kombeve të Bashkuara nuk është deklaruar ende, por është anëtarësimi në UNESCO, Këshilli i Evropës, UEFA për të cilat duhet të flas ai.

Gjithashtu, sipas burimeve të gazetës brenda Brukselit, në platformën e kapitullit 35 janë të përfshira të gjitha pyetjet që kanë të bëjnë me Kosovën, për energjinë, shkollat, institucionet shëndetësore dhe funksionimin e ndërmarrjeve serbe, siç janë “Posta e Serbisë”, dhe “Banka Komerciale”, transmeton Indeksonline.

Sipas gazetës serbe, kurthi që po i ngritet Serbisë është rregullimi i çështjeve kufitare, që do të thotë se Serbia duhet të heq dorë nga “provinca jugore”, e cila përbën 15 për qind të territorit serb.

Ndërkaq, në pikën 49, sipas “Vecernje Novosti”, në dokumentin preliminar rregullohet që “Universiteti i Mitrovicës veriore hyn brenda sistemit arsimor të Kosovës, spitalet dhe objektet shëndetësore në veri janë nën kapuçin e Prishtinës, si dhe kompanitë dhe bankat serbe do të funksionojnë në pajtim me ligjet e Kosovës.”

Gazi lotsjellës – Nga ALBIN KURTI

Në seancën e fundit të parlamentit ishte ndryshe. Deputetë e ministra të kënaqur lotuan porsi të pakënaqurit qytetarë. Njëmend vetëm për disa minuta por ama ato ishin domethënëse. Natyrisht, jo aq domethënëse për qytetarët që i shikonin sa për vetë ata të cilëve situata ua imponoi gjendjen e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë. Ishte ky çasti kur ata njëmend u bënë përfaqësues të denjë të popullit të Kosovës. Pra, ishin disi porsi populli, qanin nga gazi i jashtëm lotësjellës e jo nga ai i brendshëm i kënaqësisë

Shumë kanë qeshur e janë zgërdhirë në këtë parlamentin e Kosovës. Deputetë, ministra e kryeministra janë shkulur gazi derisa edhe lotët u kanë dalë. Tash e 15 vjet pajada. Në anën tjetër, për ata që nuk u qeshej por protestonin, e kishin policinë që e kishte gazin lotsjellës. Qofshin ata veteranë të luftës, familjarë të të pagjeturve, shqiptarë të Kroit të Vitakut apo sindikalistë të punës. E, sidomos nëse ishin aktivistë apo simpatizantë të VETËVENDOSJE!-s. Mijëra boca gazi lotësjellës janë hedhur mbi të pakënaqurit protestues në Kosovën e lirë. Nëse nuk t’i sjell lotët gazi i të qeshurit sikurse tek ata në parlament, atëherë këtë ta garanton gazi lotësjellës i policisë që e mban rendin, apo jo?

Në seancën e fundit të parlamentit ishte ndryshe. Deputetë e ministra të kënaqur lotuan porsi të pakënaqurit qytetarë. Njëmend vetëm për disa minuta por ama ato ishin domethënëse. Natyrisht, jo aq domethënëse për qytetarët që i shikonin sa për vetë ata të cilëve situata ua imponoi gjendjen e qytetarëve të cilët i përfaqësojnë. Ishte ky çasti kur ata njëmend u bënë përfaqësues të denjë të popullit të Kosovës. Pra, ishin disi porsi populli, qanin nga gazi i jashtëm lotësjellës e jo nga ai i brendshëm i kënaqësisë. Ishte ky momenti kur ata u bënë deputetë të popullit të Kosovës! Zaten, fjala ‘deputet’ do të thotë zëvendës, pra deputeti është zëvendës i popullit, është njëfarë zëvendësimi për popullin: në sallën e parlamentit nuk i zë dot 2 milionë qytetarë por i zë 120 deputetë. Të tillë ishin deputetët atë ditë: aty, të gjithë, deputetë të përlotur, pra, deputetë ngase të përlotur. Vërtetë shkurtimisht, por ama ndodhi më në fund! Ishte ky çasti sublim i demokracisë përfaqësuese. Sundimi i popullit nëpërmjet përfaqësuesve as nuk ishte sa për sy e faqe dhe as përfaqësim i sundimit me popullin.

Megjithatë, këta deputetë të bërë deputetë nga gazi lotsjellës ishin edhe diçka tjetër këto javët e fundit. Ata ishin (dhe janë sërish tash që nuk lotojnë më) edhe deputetë që e kanë shkelur betimin e deputetit, deputetë të ‘Zajednicës’ së komunave me Serbinë dhe të ‘dhuratës’ 10.000 hektarëshe Malit të Zi. Pra, deputetë që janë ngritur kundër Republikës dhe kushtetutshmërisë, kundër kombit e shoqërisë sonë, kundër identitetit e historisë sonë. Me një fjalë, që prej 25 gushtit ata ishin deputetë të rebeluar, ishin rebelë që s’ishin më deputetë. Prandaj, kundër rebelëve të tillë gazi lotsjellës ishte i domosdoshëm. Rrjedhimisht, të enjten ne e hodhëm gazin lotsjellës të Republikës kundër të rebeluarve kundër Republikës. Rebelët kundër Republikës e kishin uzurpuar sallën e parlamentit, shtireshin se janë deputetë, dhe dëshironin të funksiononin sikur asgjë të mos kishte ndodhur më 25 gusht. Fatmirësisht gazi lotsjellës i shpërndau dhe i largoi prej andej.

Ndërkohë, në shikim të parë, njeriu nuk arrin ta kuptojë pse gjithë kjo histeri e panik kundër gazit lotsjellës në parlament. Ama porsa mendon për atë që shfaq dhe jo vetëm për shfaqjen, sakaq e zbulon që histeria e paniku i regjimit më së miri pasqyrohen pikërisht në mediet e tij. Këto medie të regjimit për qytetarin janë sikurse sklepat në sy: mu atëherë kur zgjohesh ta pengojnë shikimin e t’i vrasin sytë. Në atë çast natyrisht që duhet të shkosh në banjë.

Gazi ynë lotsjellës më 8 tetor 2015 në parlament ishte i përmasës së vogël dhe një i vetëm. Të tilla ne i kemi ngrënë në protesta me mijëra sosh, ndërkaq po ashtu me qindra aso që janë në mbushje më të mëdha e shumë më të rrezikshme. Pra, nuk pati kurrfarë sulmi masiv me gaz lotsjellës nga ana jonë. Një sulm i tillë masiv i policisë në protestën tonë për shembull e pat dërguar në komë znj. Iris Von Der Ehe më 22 tetor të vitit 2012 dhe mandej edhe në vdekje para tri javëve sivjet. Për më tepër, dihet që ne nuk përdorëm fare plumba gome të enjten që shkoi në parlament. Kundër nesh janë përdorur edhe plumbat e gomës, psh. kur i vranë Mon Balajn e Arben Xheladinin më 10 shkurt 2007, ose kur i plagosën Hysni Hysenin, Zenel Zenelin e Mustafë Nerjovajn po atë ditë, apo edhe kur ia dëmtuan rëndë syrin Uran Qarollit në protestën kundër Jabllanoviqit më 27 janar 2015. Ne të enjten nuk përdorëm fare plumba gome, apo jo? Ç’është kjo histeri e ky panik? Assesi s’mund të jetë i qytetarëve të Republikës por veçse i qeveritarëve të ‘Zajednicës’. Mediet e regjimit pasqyrojnë regjimin, kur ai qeshej me lot (sipër popullit), por edhe tash që qan nga gazi lotsjellës (para popullit).

Njerëzit e këtij regjimi njëherë patën thënë që Gjykata Speciale do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Nuk ndodhi. Mandej thanë se ‘Zajednica’ do të jetë në paketë me Forcat e Armatosura të Kosovës. Sërish nuk ndodhi. Sepse, paketa, në fakt, përbëhej prej Gjykatës Speciale dhe ‘Zajednicës’. Ato të dyja instalohen formalisht në të njëjtën mënyrë: brenda sistemit të Kosovës por të kontrolluara prej jashtë pa llogaridhënie për neve. Ato të dyja janë përmbajtësisht komplementare: Gjykata Speciale do të shkruajë një rrëfim ndryshe për luftën në Kosovë duke legjitimuar ‘Zajednicën’ e Serbisë, ngjashëm si në Bosnje. Ato të dyja bashkë janë në kahjen e kundërt të shtetndërtimit në Kosovë: Gjykata Speciale e bën drejtësinë në Kosovë çështje të jashtme kurse ‘Zajednica’ në Kosovë e bën Serbinë çështje të brendshme.

Me dialogun Thaçi-Daçiq dje dhe atë Mustafa-Vuçiq sot, Serbisë po i hiqen pengesat drejt integrimit evropian ndërkaq Kosovës po i shtohen pengesat në shtetndërtim. ‘Zajednica’ është garancion që edhe fëmijët tanë jo vetëm se do të dalin në demonstrata të rrezikshme ku gazi lotsjellës është veçse fillimi, por do ta kenë edhe një luftë të re në Kosovë së cilës në rastin më të mirë nuk i dihet epilogu. Ne duam dhe duhet t’i parandalojmë këto. Për hir të së kaluarës (atyre që u vranë e u zhdukën në vend tonin) dhe për hir të së ardhmes (atyre që do t’i rrezikojmë nëse heshtim) duhet të ballafaqohemi e të mos ndalemi. Pa ardhmëri dhe histori nuk ka të tashme.

Kosova në UNESCO: SHBA loboi, por nuk voton

Nga viti 2012 SHBA kanë humbur të drejtën e votës

SHBA mendojnë se objektet me rëndësi historike do të kenë një mbrojtje më të mirë po qe se Kosova është në UNESCO.

Ministria e Jashtme e Serbisë tash disa muaj ka orientuar gjithë përpjekjet e veta diplomatike për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë, në UNESCO, thotë nje zyrtar amerikan në Washington. Një kërkesë të tillë për mosmbështetje të Kosovës në UNESCO delegacioni serb i ka bërë edhe administratës amerikane në fund të shtatorit.

“Ne kemi lobuar tek shumë vende për pranimin e Kosovës në UNESCO. SHBA mendojnë se objektet me rëndësi historike do të kenë një mbrojtje më të mirë po qe se Kosova është në UNESCO,” thotë zyrtari amerikan në delegacionin e OSBE-së, i njohur me kërkesën e Kosovës dhe me zhvillimet në rajon tash mbi dy dekada.

Në votimin e Bordit Ekzekutiv pas 20 tetorit do të mungojë vota e Amerikës. SHBA me 22 për qind ishin kontribuesi më i madh i buxhetit të UNESCO-s deri më 2011, mirëpo për shkak të pranimit të Palestinës në organizatë, Washingtoni ka ndalur këtë kontribut, në bazë të një ligji të miratuar nga Kongresi më 1990. Për shkak të moskontributit, nga viti 2012 SHBA kanë humbur edhe të drejtën e votës, ndërsa nga 58 anëtarët e Bordit Ekzekutiv, 32 janë vende që tashmë e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Deri tash UNESCO ka njohur katër monumente mesjetare bizantino-ortodokse si trashëgimi botërore në Kosovë: Manastirin e Deçanit, Patriarkanën e Pejës, Kishën e Zojës së Virgjër në Prizren dhe Manastirin e Graçanicës, objekte këto që për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga UNESCO evidentohen si pjesë të trashëgimisë botërore në shtetin e Serbisë.

Një listë e sajuar nga dy misione raportuese të UNESCO-së në Kosovë gjatë viteve 2003 dhe 2004 si dhe nga katër misione të Këshillit të Evropës që erdhën për nevoja të konferencës së donatorëve me qëllime restaurimi, ka identifikuar 48 objekte bizantine serbo-ortodokse, Kisha, manastire, seminare; 14 objekte islamike, xhami e hamame nga periudha e perandorisë Otomane; dhe 13 pika arkeologjike historike, disa kulla guri në Dukagjin, ndonjë kala dhe urë të vjetër./RTK/

6 dëshmitarë të Gjykatës Speciale merren në mbrojtje jashtë vendit

Mësohet se të paktën gjashtë dëshmitarë që do të dëshmojnë në Gjykatën Speciale tashmë janë larguar nga Kosova. Ata janë sistemuar në vende të ndryshme, në pritje të gjykimeve që do të nisin pas themelimit të Gjykatës Speciale.

“Koha Ditore” ka mësuar se këta dëshmitarë të mbrojtur janë nga rajoni i Drenicës, Lipjanit e Shtimes.

Ata konsiderohen dëshmitarë të rëndësishëm të Prokurorisë mbi dëshmitë e të cilëve pretendohet të vërtetohen krimet e supozuara të të akuzuarve të ardhshëm – pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet kosovare nuk janë të përfshira fare në transferimin dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Bile as që janë të njoftuar zyrtarisht se shtetas kosovarë janë larguar në drejtim të vendeve të tjera.

Në Task Forcën Speciale për hetimin e pretendimeve që dalin nga Raporti i Këshillit të Evropës kanë thënë se nuk e mohojnë e as nuk e pohojnë transferimin e disa dëshmitarëve nga Kosova.

Serbët i kërkojnë tri fshatra të jugut të Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës ka siguruar qytetarët e komunës që drejton se nuk do të lejojë devijim nga Plani i Ahtisarit, kur bëhet fjalë për definimin e kufijve administrativë të dy komunave, një tendencë që gjithnjë e më shumë po shfaqet nga veriorët. Sipas Agim Bahtirit, në kuadër të aktiviteteve për realizimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, është paraparë edhe definimi i kufijve administrativë ndërmjet komunës së deritashme dhe asaj të re.

Duke i parë tendencat e drejtuesve të komunës veriore që përkufizimi i kufijve administrativë të bëhet jashtë Pakos së Ahtisarit, kryetari Bahtiri ka ftuar të premten në një takim përfaqësues të partive politike, të përfaqësuara në Kuvendin e Mitrovicës, për të diskutuar rreth kësaj çështjeje. Me këtë rast, ai i ka njoftuar për këto synime dhe është zotuar se në asnjë mënyrë nuk do të pranojë devijimin nga Plani i Ahtisarit, me të cilin plan shqiptarët edhe ashtu janë dëmtuar.

Bahtiri tha se qytetarët e Mitrovicës, para së gjithash ata që jetojnë në fshatrat dhe lagjet në veri të lumit Ibër, të cilët me planin e Ahtisarit i takojnë komunës së deritashme (e cila pa vullnetin e tyre është ndarë), ndërsa serbët po kërkojnë që t’i takojnë komunës në veri, nuk duhet të shqetësohen aspak, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë me pëlqimin e tij… zeri

Kosovë, opozita letër të përbashkët qytetarëve: Ja pse hodhëm gaz lotsjellës

PRISHTINË – Partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma u kanë adresuar një letër qytetarëve të Kosovës ku kanë shpjeguar veprimet e dhunshme në Kuvend. Ata kanë thënë se vezët, uji dhe gazi lotësjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit por kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë.

Sipas kësaj letre, opozita vlerëson se Kosova është në rrezik dhe se vendimet e marra së fundmi do të çojnë në ndarjen e Kosovës.

Letra e përbashkët

Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ne vlerësojmë se shteti ynë është në rrezik! Vendimet e Kryeministrit dhe vartësve të tij do të rezultojnë në ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës, që nuk është në interes as të shqiptarëve e as të serbëve. Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit. Këto për ne janë të papranueshme.

Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e falë territorin e saj. Jemi të vetëdijshëm që masat kundërshtuese të opozitës dje në Kuvend nuk kanë qenë të rregullta, por kjo ishte rruga e vetme për të kundërshtuar proceset që rrezikojnë funksionimin e shtetit të Kosovës, i cili ka qenë një projekt i përbashkët edhe me partnerët ndërkombëtarë. Prandaj, kërkojmë që edhe partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë ta shohin kundërshtimin tonë nga ky aspekt.

Vezët, uji dhe gazi lotësjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotësjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë.

Për opozitën e bashkuar, e neveritshme është ndarja e Kosovë në linja etnike dhe falja e territorit të shtetit tonë. E shëmtuar është shkurtpamësia politike për të parë dëmin që mund ta shkaktojnë këto marrëveshje.

Qeveria ka kaluar çdo kufi të sjelljes në suaza normaliteti me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, përkundër paralajmërimeve të qarta që u kemi bërë në foltoren e Kuvendit për javë e muaj me radhë. Por, kjo Qeveri nuk dëgjon zërin e arsyes dhe as qytetarin. Nuk ka dëgjuar as argumentet tona. Kryeministri dhe Qeveria janë nën presionin e dosjeve të korrupsionit, prandaj edhe e dëmtojnë Kosovën për të tentuar shpëtimin e vetes. Për ne është i papranueshëm nënshtrimi i interesave të kombit për interesa private e meskine të cilitdo individ, qofshin ata edhe krerët e koalicionit qeverisës.

Konsiderojmë se kjo që po bën Kryeministri Mustafa dhe Qeveria e tij nuk është demokraci. Kjo është logjikë e dhunimit të shtetit, popullit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.

Kryeministri Mustafa ka për obligim kushtetues, qytetar dhe kombëtar të tërhiqet nga ato marrëveshje të dëmshme dhe të pazbatueshme. Nëse ai vazhdon të shpërfill këtë shqetësim krejt legjitim, atëherë dorëheqja e tij është e pashmangshme.

Policia kontrollon zyrat e Vetëvendosjes

Vetëvedosje: u bastisën zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend

Policia e Kosovës kontrolloi të premten në mbrëmje zyrat e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje. Kontrolli u konfirmua nga policia e cila nuk dha më shumë hollësi, ndërsa pason veprimet e një dite më parë të partive opozitare për të bllokuar punën e parlamentit, me ç’rast u hodh edhe gaz lotsjellës.

Lëvizja Vetëvendosje tha nëpërmjet në komunikate se “pa praninë e deputetëve dhe pas orarit të punës, në zyrat e parlamentit të Kosovës ka ndodhur një akt i paprecedent i ushtrimit të pushtetit autoritar. Policia e Kosovës e cila duhet të sigurojë paprekshmërinë e organit përfaqësues të sovranit, ka bastisur zyrat e deputetëve dhe të Grupit Parlamentar të subjektit më të madh opozitar në vend, lëvizjes Vetëvendosje”.

Në komunikatë thuhet se “policia përveç bastisjes, ka filluar të ushtrojë presion ndaj vetë deputetëve, duke ftuar në intervistë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu në lidhje me aksionet e opozitës” në parlament.

“Këto ndodhi të papranueshme vijnë menjëherë pasi që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, organizoi një takim me ambasadorët e vendeve të Kuintit, (pesë vendet kryesore euro – perëndimore). Siç duket, Kadri Veseli po e përdor takimin me ambasadorët e Kuintit për të legjitimuar shtimin e represionit dhe dhunimin e opozitës. Ish-kryetari i SHIK-ut (Shërbimi Informativ i Kosovës) u përpoq për disa ditë të përdorë maskën demokratike e paqësore, por tashmë përballë vendosmërisë së opozitës, Veseli po e shfaq sërish fytyrën e tij të vërtetë, atë të vjetrën!”

Lëvizja Vetëvendosje akuzon edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa për përdorim të policisë dhe gjyqësorit kundër aktivistëve dhe anëtarëve të opozitës.

Kundër kontrollit të policisë reaguan edhe dy partitë tjera opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat vlerësojnë se kjo është “trysni politikisht të përllogaritur” mbi deputetët.

Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave të parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë dhe shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Sipas marrëveshjeve të 25 gushtit serbët në veriun e Kosovës do të kenë më shumë te drejta dhe asociacioni i komunave do të ketë përgjegjësinë për disa fusha. Opozita është shprehur e vendosur që të mos pranojë e as të lejojë të zbatohen marrëveshjet që sipas tyre rrënojnë shtetin e Kosovës. Të tri partitë opozitare, thanë të premten se “shteti është në rrezik”.

Në një deklaratë të përbashkët ata thanë se vendimet e kryeministrit dhe vartësve të tij do të përfundojnë me ndarjen etnike të Kosovës, duke formalizuar dhe legalizuar ndikimin politik të strukturave ilegale të Serbisë mbi një pjesë të territorit të Kosovës. Në anën tjetër, marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi ia humb Kosovës mbi 10 mijë hektarë të territorit, thuhet në deklaratën e tri partive opozitare.

“Zhvillimet e djeshme në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të pashmangshme. Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për shkak se Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e fal territorin e saj. Vezët, uji dhe gazi lotsjellës nuk janë drejtuar kundër Kuvendit, as kundër ndonjë institucioni të shtetit. Janë drejtuar kundër vendimeve të gabueshme të Qeverisë, të cilat mund të zbatohen. Nën tymin e gazit lotsjellës kemi qëndruar edhe vetë, ne deputetët e partive opozitare, të përkushtuar për të mbrojtur shtetin, territorin dhe demokracinë në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Drejtuesit e institucioneve vendase dhe ambasadat euro-perëndimore dënuan veprimet e opozitës duke i bërë thirrje asaj që të heq dorë, siç thuhet, nga përdorimi i dhunës si taktikë politike.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtimin e tensioneve politike në Kosovë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ftuar në një darkë joformale, javën e ardhshme, kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Takimi do të mbahet më 13 tetor dhe sipas zyrës së zonjës Mogherini synon të shqyrtojë përparimin në zbatimin e marrëveshjeve dhe vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve.

Kosova hap dyert për emigrantët nga Lindja e Mesme

Foto e migrantëve gjatë rrugëtimit të tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të pranuar rreth 500 emigrantë nga Lindja e Mesme.

Këto komente, zoti Thaçi i bëri më 8 tetor në Konferencën e nivelit të lartë për Mesdheun Lindor dhe Ballkanin Perëndimor në Lukesmburg.

“Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës. Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re”, citohet të ketë thënë Thaçi.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës, për t’u njoftuar me kapacitetet që ka Kosova për pranimin e këtij numri të migrantëve nga Lindja e Mesme, kryesisht nga Siria, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se menjëherë pas gatishmërisë së institucioneve të Kosovës për pranim të migrantëve, kanë filluar t’i rishikojnë kapacitetet për të reaguar në këtë situatë.

Antigona Sopjani, koordinatore në këtë shoqatë kombëtare humanitare, ka theksuar se mund të ndihmojnë për aq sa ua lejon misioni i tyre.

Ajo ka treguar se Kryqi i Kuq ka ekipet për menaxhim të emergjencave dhe se varësisht nga nevojat ata do të jenë të gatshëm të ndihmojnë migrantët që do të pranohen në Kosovë.

“Ajo çka ne mundemi të bëjmë: fillimisht mund të asistojmë në ngritjen e kampit nëse është e nevojshme, pastaj mund të reagojmë me ekipet tona të ndihmës së parë, pasi që ka raste që mund të kenë nevojë për ndihmë të parë”.

“Kemi ekipet për përkrahje psiko-sociale, pasi që këta persona që vijnë prej zonave të konfliktit kanë nevojë për këtë ndihmë. Po ashtu kemi edhe shërbimin tonë të rivendosjes së lidhjeve familjare, në rast se personat kërkojnë pjesën tjetër të familjes që iu ka mbetur në ndonjë vend tjetër”, tregon Sopjani.

Në Kosovë, në Magurë të Lipjanit, ekziston Qendra për Azilkërkues, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës.

Drejtori i kësaj qendre, Fitim Zariqi, në një prononcim dhënë më herët për Radion Evropa e Lirë, kishte theksuar se në rast se Qeveria e Kosovës merr vendim që të pranohen refugjatë, atëherë, ata do të jenë në shërbim të atij vendimi.

Ai kishte treguar se Qendra për Azil ka një kapacitet për akomodimin e 60 azilkërkuesve, me mundësi maksimale të rritjes deri në 123 persona.

Sidoqoftë, kapacitetet e Kosovës për pranimin e migrantëve vihen në dyshim nga drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala.

Ai në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se Kosova është një vend që nuk ka qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale në radhë të parë për qytetarët e saj.

Ai kujton valën e fundit të largimit të qytetarëve nga Kosova në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian në kërkim të një jete më të mirë.

“Kosova nuk ka asnjë kapacitet t’i pranojë ata të cilët vijnë nga shtete tjera, dhe është shumë jo serioze nëse japim premtime se mund të sistemojmë të ikurit nga Siria, Iraku apo nga shtetet tjera, kur nga shteti ynë po ikin shumë qytetarë për shkak të kushteve të vështira ekonomike dhe sociale”, thekson Shala.

Kosova, sipas tij, mund të pranojë refugjatë vetëm nëse mekanizmat ndërkombëtarë ofrojnë mjete për refugjatët, të cilët mund të strehohen në Kosovë.

Çështja e refugjatëve ishte ngritur edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar nga autoritetet përkatëse që të shqyrtohen mundësitë dhe kapacitetet nëse Kosova është e gatshme që të solidarizohet me strehimin e refugjatëve të ikur nga lufta në Siri.

Migrantët nga Lindja e Mesme po përdorin vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht Maqedoninë dhe Serbinë, për të depërtuar brenda kufijve të Bashkimit Evropian.


Luljeta Krasniqi – Veseli

[email protected]

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Prishtinë – Pritet arrestimi i Albin Kurtit

Mediat në Prishtinë shkruajne se Policia e Kosovës pritet ta arrestojë deputetin e Vetvendosjes Albin Kurti.
“Express’ shkruan se arrestimi i ish-kreut të VV-së ka të bëje me veprimin e tij të fundit, një ditë më parë në Kuvend, ku Kurti hodhi gaz lotsjellës në sallë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se në bashkëpunim me prokurorinë kompetente kanë kryer hetimet për verifikimin e mjetit të dyshuar dhe pritet që në vijim të ndërmarrin veprimet e mëtejshme në bazë të vendimit të prokurorit kompetent.

“Sa i përket rrethanave dhe situatës së krijuar në sallën e Kuvendit të RKS-se, ku është hedhur mjeti i dyshuar, Policia e Kosovës pas përfundimit të seancës në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent dhe zyrtarët kompetent të Kuvendit të Kosovës, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për hetimin dhe verifikimin e mjetit të dyshuar dhe te gjitha veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren ne baze te vendimit te prokurorit kompetent”, ka thënë për Express, zëdhënësi i PK-së, Baki Kelani.

Ky veprim i tij, dërgoi në emergjencë për trajtim mjekësor dy deputetet e PDK-së, Flora Brovina dhe Blerta Deliun.

Pa ndjenja raportohet se ka mbetur edhe shefi i zyrës së BE’së, Samuel Zhbogar.

Ndryshe hedhja e gazit është vepër penale.

Bazuar në Kodin Penal, neni 120, i cili përcakton përkufizimet e shprehjeve të përdorura në kod, pika 38 saktëson se çka konsideron armë, ku edhe gazi hyn në kategorinë e armëve.

“Armë, çdo send ose vegël e punuar me qëllim që nën presionin e gazrave, të cilat lirohen gjatë djegies së materieve shpërthyese, elektrike, gazrave nën presion ose energjisë tjetër potenciale, hedhë predha në formë të një plumbi të vetëm, grumbulli prej saçmash, gazi, lëngu, shigjete ose përbërësish të tjerë, që krijohet dhe përdoret për të shkaktuar lëndime trupore ose dëm fizik, qoftë edhe psikologjik, si dhe secili send tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është kryerja e sulmit fizik ndaj integritetit fizik të njerëzve ose ndaj pasurisë.”, theksohet në Kodin Penal të Kosovës.

Thaçi thotë: Jemi të gatshëm të pranojmë rreth 500 refugjatë

LUKSEMBURG – Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi deklaroi në konferencën e Luksemburgut, se Kosova është e gatshme të pranojë rreth pesëqind refugjatë. Ai tha se Kosova e kupton shumë mirë çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritet, kujdesit dhe zgjidhjes së krizës.

“Si qytetar i Kosovës, e kujtoj fare mirë se çfarë do të thotë të jesh refugjat, por edhe rëndësinë e gjetjes së solidaritetit, kujdesit dhe zgjidhjes ndaj krizës. Mikpritja evropiane shpëtoi kombin tim dhe për këtë ne do të jemi gjithmonë mirënjohës. Sot, Evropa po përballet me një valë të re refugjatësh. Ne duhet të veprojmë se bashku dhe të përgjigjemi duke dëshmuar edhe një herë solidaritet dhe kujdes, por edhe të kërkojmë zgjidhje për konfliktet që po prodhojnë mijëra refugjatë”, – tha Thaçi.

Zëvendëskryeministri tha se edhe Kosova ishte vend origjine i refugjatëve, por tashmë nuk është më.
“Ne u përballëm me një valë të migrimit në fillim të këtij viti, por ishim të suksesshëm në ndalimin saj. Një fushatë informimi nga Qeveria bëri që qytetarët të kuptojnë se kosovarët nuk do të pranohen si emigrantë në Evropë. Paralelisht, mekanizmat e zbatimit të ligjit arrestuan trafikantë të qenieve njerëzore. Kosova po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, – u shpreh ndër të tjera, Thaçi.

Zëvendëskryeministri më tej u shpreh se si rezultat i këtyre masave, fluksi i refugjatëve nga Kosova ka rënë në mënyrë drastike që nga marsi.
“Ne tani po kalojmë në procesin e kthimit të këtyre qytetarëve të Kosovës. Sipas EUROSTAT-it, ne tashmë kemi kthyer më shumë se pesëmbëdhjetë mijë qytetarë. Vala aktuale e refugjatëve nga Lindja e Mesme nuk po kalon përmes Kosovës. Ne e dimë se rrugët ndryshojnë dhe ne po i ndjekim gjërat nga afër dhe po përgatitemi për çfarëdo zhvillimesh. Kosova dëshiron të jetë pjesë e projekteve për t’u marrë me këtë sfidë të re ”, – tha Thaçi.

Ministri i Punëve të Jashtme u shpreh se kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të marrë rreth pesëqind refugjatë nëse është e nevojshme.
“Si pjesë e përpjekjeve tona për të kontribuar në sigurinë në kontinentin tonë, po bashkëpunojmë ngushtë me shtetet e rajonit, Evropës dhe më gjerë. Por, Kosova duhet të jetë gjithashtu anëtare e organizatave të sigurisë, të tilla si INTERPOL, dhe të sigurojmë bashkëpunimin me EUROPOL-in”, – tha ministri i Jashtëm.

Thaçi tha se Kosova është pjesëtare aktive e Koalicionit Global në luftën kundër ekstremizmit.
“Kosova po merr rolin e saj si pjesëtare aktive e bashkësisë ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare duhet gjithashtu të pranojë Kosovën si anëtare aktive të saj dhe Bashkimi Evropian duhet të na mbështes duke hequr regjimin e vizave, bazuar në përmbushjen e kritereve”, – u shpreh zëvendëskryeministri.
Ndryshe, zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ishte në mesin e liderëve evropianë që morën pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Mesdheun Lindor / Ballkanin Perëndimor në Luksemburg.

Kaosi institucional, produkt i keqqeverisjes shtatëvjeçare! – Nga FLORIM ZEQA

Përgjatë këtyre 11 muajëve të qeverisjes Mustafa-Thaçi 3, sa herë që e kemi thënë të vërtetën po aq herë jemi keqëkuptuar nga një pjesë e opinionit publik. Sa herë që kemi thënë të vërtetën për Isa Mustafën-kryeministër kukull në qeverinë e Kosovës, po aq herë jemi keqëkuptuar nga sejmenët e tij,…për sa herë kemi thënë se Isa Mustafa është kryeministër i Facebook-ut, po ashtu jemi keqëkuptuar nga mbështetësist e tij verbal.
Mirëpo, postimi i fundit i datës 07.10.2015 i Isa Mustafës në Facebook i vërtetoi të gjitha; e vërtetoi servilitetin, paaftësinë, debolencën, injorancën, urrejtjën,…e mbi të gjitha e vërtetoi paaftësinë e tij qeverisëse me institucionet e vendit!
Për hir të asaj pjese të opinionit publik që nuk kanë qasje në rrjetet sociale, po e publikoj të plotë reagimin e plotë në Facebook të kryeministrit kukull, po citoj:
“Te nderuar veprimtarë të VV dhe përkrahës nga AAK dhe Nisma
Unë ju ftoj ta sulmoni Kryeministrin e Republikës së Kosovës, me vezë me gurë, me yje te metaltë, me plumba, me çfarë të doni! Mund ta dëmtoni, mund ta verbëroni, mundeni edhe t’ia merrni jetën. Ju siguroj se Gjykatat tona nuk do tu dënojnë, ato e kanë ulë çmimin e jetës dhe sigurisë së Kryeministrit. Sepse, ato janë aleatë tuaj. Çmimi më i lartë që do të paguani për jetën e Kryeministrit është 150 euro. Aq më tepër ky çmim është në veresi. Sepse Gjykata ju pret, kurse ju mund të ankoheni. Kjo është fytyra e drejtësisë sonë. Turpi ynë!.
Isa Mustafa, Kryeministër i Republikës së Kosovës”
E kemi ditur për qytetarët e vendit që e kanë humbur besimin në institucione dhe sistemin e drejtësisë, por deri me sot nuk e kemi pasur të qartë, se edhe kryeministri i vendit nuk i beson një institucioni që e vet e “kontrollon”!
A ka ku shkon më keq se kështu, kur kryeministri i një vendi e humbë besimin në institucionet shtetit që e drejton !
Kjo është fytyra e kryeministrit, është fytyra e shtetit, fytyra e vërtetë e uzurpatorëve që kanë kapur drejtësinë për fyti !
Shteti dikujt mund ti duket si nocion abstrakt, por në fakt nuk është krejtësisht ashtu. Në realitet shteti është pasqyrë e të gjithë qytetarëve të saj, e pozitës dhe opozitës në kuvend.
Thënë ndryshe, secili prej nesh jemi pjesë përbërse e shtetit, ndërsa pjesa ekzekutive, legjislative dhe ajo e sigurisë janë fytyra e vërtetë e shtetit.
Kosovës, si një vend i ri që është i duhet një imazh tjetër nga ky i sotmi.
Imazhi negativ i Kosovës sot nuk është fytyra e qytetarëve të saj.
Shpërndarja e përgjegjësisë nga ana e pushtetarëve është mjegullim i fajësisë  është tendencë për ikje nga përgjegjësia,…
Ndodhë kështu, pasi drejtuesve të shtetit ju mungon përgjegjësia morale në radhë të parë dhe llogaridhënja para qytetarëve të saj. Ata sillen me popullin sikur të ishin të dërguarit e Perendisë, ndjehën të pa prekshëm nga ligji, sepse ligjet e drejtësia janë në dorën e tyre.
Pushtetarët dhe të “fortit” e politikës sillen si ua ka ëndja, (kemi “X” raste, kur djemt e politikanëve  kanë sfiduar organet e rendit), madje edhe familjarët e tyre sillen si “kauboj” të armatosur rrugëve dhe shesheve të Kosovës, përderisa policia vendore nuk e ka guximin e ballafaqimit më ta!
Me këtë nivel (të ulët) të qeverisjes së vendit kush e di edhe për sa kohë do të qëndrojnë në vendin organet e drejtësisë ndërkombëtare (EULEX-i, Gjykatat Speciale).
Prezenca e KFOR-it, (element i sigurisë), EULEX-it (element i drejtësisë), përfaqësuesit special të kombeve të bashkuara (Samuel Zhbogar), heshtja dhe indiferenca e popullatës karshi keq-qeverisjes më vendin e bënë shtetin e Kosovës, një shtet në “inkubator”, pa qenë në gjendje të lëvizi më këmbët e veta drejtë ecjes dhe zhvillimit normal siç i ka hije një vendi të lirë dhe demokratik.
Imazhin e Kosovës e njollosi kjo klasë e papërgjegjshme politike, kaosin politik e shkaktoi keqeverisja shtatvjeqare.
Populli, prap vazhdon të heshtë !!!

Mustafa: Kosova në prag të anëtarësimit në UNESCO

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se vendi po hyn në fazën përfundimtare të anëtarësimit në UNESCO.

“Është ky një rezultat i një pune të fuqishme të institucioneve të Kosovës, i besimit që Kosova ka arritur ta krijojë në bashkësinë ndërkombëtare dhe i përkrahjes së fuqishme nga miqtë tanë”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Ai ka shtuar se “Kosova do të respektojë të gjitha standardet botërore të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, mbi bazë të Kushtetutës dhe të Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit dhe ekspertizës së UNESCO-s”.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ndërsa dhjetëra shtete kanë shprehur tashmë përkrahjen për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s.

Të hënën, më 12 tetor, pritet që Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s të votojë për futjen e Kosovës në agjendë, ndërsa me 21-22 tetor të votojë për rezolutën formale që rekomandon pranimin e Kosovës në UNESCO.

Opozita akuzon Veselin si nxitës konfliktesh

Subjektet e opozitës në Kosovë – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosoës dhe Nisma për Kosovën – kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, në të cilën thuhet se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u tërhoq nga pozita e tij, duke e bartur kundërligjshëm udhëheqjen e seancës te anëtari i Kryesisë, Xhavit Haliti.

“Kjo është ikje nga përgjegjësia e atij që e ka për detyrë ta mbrojë Kuvendin e Republikës. Skenari sot ishte i qartë: Kadri Veseli deshi ta nxisë konfliktin mes deputetëve të Kuvendit. “

“Ne protestën tonë e kemi të orientuar kundër kthimit të Serbisë përmes Zajednicës, dhe kundër njerëzve të shantazhuar në qeveri, Isa Mustafa e Hashim Thaçi, të cilët po punojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm për t’ia mundësuar Serbisë pushtetin në Kosovë,” thuhet mes tjerash në reagimin e përbashkët të opozitës.

Kuvendi i Kosovës më në fund arriti të mbajë një seancë gjatë ditës së sotme, ndonëse nën tensione dhe fishkëllima nga deputetët opozitarë.

Në sallë u hodh edhe gaz lotsjellës nga ana e partisë politike në opozitë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Fishkëllima, birbila, gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, probleme shëndeti për deputeten Flora Brovina

 

Voal – Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, është alivanosur si pasojë e gazit lotsjellës, të cilin e hodhën deputetët e opozitës në rrevoltën e sotme në Kuven

Edhe shumë deputetë të tjerë pësuan nga gazi i hedhur në sallën e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, pas të cilit seanca u ndërpre.

Ndërkohë, deputetja Flora Brovina është dërguar në emergjencën e QKUK-ut për trajtim.

Opozita në Kosovë, tym dhe fërshëllima në Kuvend, përfundon seanca

kuvend

Seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës ka përfunduar mes tymit, fërshëllimave shurdhuese të bilbilëve frymorë dhe ujit të hedhur nga opozita drejtë pozitës, në serin e bllokimit të Kvendit.

Ashtu sikur dy herë më parë, edhe sot, Kuvendi i Kosovës u bllokua nga opozita.

Megjithëse kësaj radhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ishte i prerë se nuk do të lejoj ndonjë ndërpreje të punës opozita nuk e morri parasysh këtë.

Madje gjatë gjithë kohës sa Kadri Veseli fliste nga foltorja e tij, opozita fishkëllente me bilbila frymor duke bërë që të mos dëgjohej asgjë.

Po ashtu, në seancën e sotme, opozita ka hedhur edhe ujë mbi pozitën.

Ndërsa në fund, salla e Kuvendit është mbuluar nga tymi, origjina e të cilit nuk dihet. Tymi është lëshuar nga opozita dhe në këto kushte seanca u ndërpre./Koha.net

kosove kuvend

Tym ne kuvend

Mustafa nuk tërhiqet, opozita thellon bllokadën

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish të enjten në përpjekjen e radhës që t’i rifillojë punimet pas bllokadës së krijuar.

Opozita vazhdon të tregohet e vendosur se nuk do të lejojë zhvillimin e seancave, përderisa siç thuhet, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të mos tërheqë nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Mirëpo, një ditë para kësaj seance, kryeministri Isa Mustafa ka bërë me dije se proceset nuk mund të kthehen prapa.

Ndërkaq, ai ka rikujtuar opozitën se për marrëveshjet e arritura me Beogradin dhe Podgoricën, ai dhe Qeveria e Kosovës kanë edhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Kemi marrë përkrahjen e të gjithëve, edhe të administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për proceset që kemi kapërcyer këtu, edhe sa i përket vendimit për Gjykatën Speciale, edhe sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi edhe katër marrëveshjeve që i kemi arritur në Bruksel me Beogradin, me 25 gusht të këtij viti”, ka deklaruar Mustafa.

Skenari i deritashëm i bllokimit të punës së kuvendit tashmë është i qartë për publikun,sipas të cilit, deputetët e tri partive opozitare, ata të Lëvizjes Vetëvendosje, të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma bllokojnë foltoren e Kuvendit.

Një formë e tillë e bllokimit të punës është zbatuar për t’i pamundësuar kryeministrit Mustafa që të raportojë në Kuvend në lidhje me marrëveshjet e arritura me Beogradin në Bruksel.

Më pas, një bllokadë e tillë është kumtuar se do të zbatohet për të gjitha seancat, përderisa, siç thuhet, Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka deklaruar gjatë një konference për media se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe do të dezintegronte çdo sektor të shtetit.

“Zbatimi eventual i marrëveshjes për të ashtuquajturin Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, apo më mirë thënë të “Zajednicës”, pasi që ky do të jetë termi i vetëm që do të përdoret në rast të implementimit të marrëveshjes, jo vetëm që sjell dezintegrimin e plotë të Republikës së Kosovës, por normal që sjell edhe dezintegrimin e çdo sektori veç e veç”, ka thënë Mulhaxha.

Pas ndërprerjes së tri seancave për shkak të bllokadës së krijuar, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar gjatë kësaj jave se ai do të përkujdeset që seancat dhe puna në Kuvend të zhvillohet tutje.

Ai e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve ligjore që i mundësojnë atij nxjerrjen jashtë me anë të sigurimit të deputetëve që pengojnë seancat dhe mbarëvajtjen e punës së Kuvendit.

Andaj, mbetet të shihet skenari i kryekuvendarit Veseli, se si do ta rinisë punën në Kuvend dhe reagimin që eventualisht mund të ketë opozita.

Vështrim – Partitë kryesore politike po e humbin kredibilitetin në popull – Nga SKËNDER MULLIQI

Kjo gjendje e rëndë politike dhe ekonomike kërkon elaborim të gjerë, dhe ngerthën në vete edhe shumë pyetje. Si po e kalojmë fazën e tranzicionit?A po ndikon në krizën institucionale edhe kriza e sistemit shumë partiak? Sa janë përgjegjës për këtë krizë partitë poiltike?.Partitë politike të pa profiliuzara dhe ende të pa liruara nga logjika e vjetër e të menduarit dhe vepruarit janë bërë pengesë e madhe e demokracisë. Partitë kryesore politike të cilat e drejtuan vendin për 16 vite , u treguan së nuk kan vizion, nuk janë serioze në shtetndërtim.Në sistemin shoqerorë e politik të Kosovës gjithnjë e më shumë po theksohet edhe kriza e sistemtit shumë partiak.E gjithë kjo hallakam që nuk po përfundon në skenën tonë politike fletë së partitë kryesore  politike janë në krizë, dhe gjithnjë e më shumë po e humbin kredibilitetin në popull. Veprimet e deritashme  bashkë me liderët e tyre  , nuk po janë në gjendje të krijojnë institucione  stabile , nuk janë në gjendje ti përgjigjen demokracisë së mbrendshme dhe rrjedhave të përgjithshme demokratike si postulati kryesor i sistemit shumë partiak.Shoqëria demokratike është shoqëri ku vjen në shprehje barazia e secilit qytetarë në të gjithë sferat e jetës, barazia para ligjit, barazia  në punësim, barazia në të mira materjale etj.Ky aktualitet politik  na tregon së po rrezikohet demokracia  e cila edhe ashtu  është fragjile.Mos dialogimi me popullin  i këtij pushteti dhe kësaj kaste politike, çdo dite e më shumë po i mbush faqët e mediave të shkruara dhe elektronike për të bëmat e pista të tyre gjatë këtyre viteve, dhe sidomos kohën e fundit kur u lakuriqësuan si diletant të vërtetë politikë.Këta janë ngritur mbi ligjin,ose po e suspedojnë ate në menyrën më të turpshme të mundshme. I kan uzurpuar të gjithë hallkat e pushtetit më njerëz  te vet paten kualifikim profesional ose jo.Shumica e qytetarëve janë përjashtuar nga sistemi.Ne vend që hapësira politike të jetë në shërbim të qytetarëve, këta kan uzurpuar dhe mbyllur gjithçka.  Pushtetin aktual e karakterizon mos transparenca , politika  e keqe kadrovike, pasurimi i një grupacioni politikë ,pasurimi i shumë të tjerëve që janë aty afër tyre, pa barazia e qytetarëve para organeve të shtetit,dhe  tendenca për diciplinim  të të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, ose tentojnë që proceset të marrin të mbaren. Këta njerëz të instaluar në pushtet dhe organe shtetërore dhe partiake po sillën sikur Kosova të ishte livadhi i tyre, duke harruar së shumica kanë dhënë kontribut për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Kur pushtohet çdo gjë ose imponohet, kësaj nuk I thonë asgjë tjeter veq së diktaturë .Kur nuk vjen në shprehje mendimi I kundertë, kur merren vendime të rëndësishme në shoqëri,  procet  demokratike ngulfatën pa mëshirshëm.Mendimet dhe veprimet autoritare nuk i duhen këtij populli .Na nevoitet të ndërtojmë një sistem modern , të ndërtojmë vlera të cilat janë në përputhshmeri me shekullin 21.Kosovës i duhen energji të reja, sepse këto të deritashmet janë shterruar aq shumë , ose të cilat forca politike punuan në realizmin e interesave përsonale, duke I apstrahuar krejtsësisht interesat e përgjithshme.Pa asnjë turp po na shesin të arritura , kur dihet se ato janë minimale, kur dihet së çfarë resursesh njerëzore dhe kapitale posedon Kosova. Ardhmëria e kësaj shoqërie më këtë kastë politike nuk  është e mirë. Vetëm me njerëz kredibil , të përgatitur për sfida të kohës , jo me logjikë të shekullit të kaluar edhe mund të inkuadrohemi në BE.Forcave retrograde dhe ekstremizmave , duhet ngushtuar hapësirën e veprimit, sepse këto forca janë duke na shkaktuar dëme të mëdha si shtet i ri  dhe si komb…

Kosova javën e ardhshme nënshkrimin e MSA-së me BE-në

Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian. Nënshkrimi i marrëveshjes që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i jap fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Në korrik të vitit 2014, Kosova dhe Komisioni Evropian hodhën inicialet e tyre në marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, nënshkrimi i së cilës javën që vjen pritet të pasojë një takim ndërmjet shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në të cilin do të diskutohet për rrjedhën e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet tyre.

Kosova ishte ngecur në këtë proces për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të të cilit vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, më vonë u arrit pajtimi që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare, siç ka ndodhur me vendet tjera.

Mungesa e këtij konsensusi ka bërë që Kosova të jetë prapa të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimorë në proceset integruese. Qytetarët e saj janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha të mërkurën se deri në fund të nëntorit, vendi do të plotësojë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Zyrtarë evropian i thanë Zërit të Amerikës se proceset janë ngadalësuar edhe për shkak të zhvillimeve në Kosovë, duke radhitur këtu krizën gjashtëmuajshe institucionale të vitit të kaluar, që pasoi zgjedhjet parlamentare, por edhe fillimin e ngathtë te qeverisjes në këtë vit si dhe ngecjet në fushën e sundimit te ligjit. Një shtysë proceseve u ka dhënë ndërkaq miratimi i Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Nënshkrimi i marrëveshjes për stabilizim asociim, ndodhë në një periudhë kur autoritetet po përballen më kritika të ashpra nga partitë opozitare të cilat kanë bllokuar tash e dy javë edhe punën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë. Mospajtimet më të thella pasuan marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe që parasheh një shkallë të gjerë autonomie për këtë komunitet. Partitë opozitare kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet që i shohin si të dëmshme për shtetësinë e Kosovës.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Beogradi shpreson që brenda këtij viti të hapen kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim, por diplomatët thonë se atij vendimi duhet t’i paraprijë vlerësimi i zbatimit në terren të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që është edhe kapitulli i parë i bisedimeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë.

Vuçiq lobon kundër Kosovës në UNESCO

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga homologu grek, Alexis Tsipras, që vendi i tij të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Zyra për media e Vuçiqit njofton se dy kryeministrat kanë biseduar sot përmes telefonit.

“Përfaqësuesit e dy qeverive kanë diskutuar për të gjitha çështjet rajonale, sidomos për Kosovën. Kryeministri Vuçiq e ka lutur kryeministrin Tsipras që Greqia të mos votojë për pranimin e Kosovës në UNESCO”, thuhet në njoftimin që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq dhe Tsipras kanë biseduar edhe për krizën me migrantë, si dhe për marrëdhëniet ekonomike dhe politike midis dy vendeve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, ndërsa dhjetëra shtete kanë shprehur tashmë përkrahjen për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës nga Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s.

Vendimi përfundimtar pritet gjatë këtij muaji.

Kosovë: Aktakuzë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot një aktakuzë në Gjykatën Themelore të Pejës, kundër një personi për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Në një komunikatë të Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës “i pandehuri S.M. gjatë periudhës kohore korrik 2013 deri janar 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist ‘Al Nusra’, e cila operon në konfliktin e armatosur në Siri, ka udhëtuar në Turqi përmes aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në linjën Prishtinë – Stamboll”.

Rrjeti Al-Nusra njihet ndërkombëtarisht si organizatë terroriste, e ndërlidhur me Al-Qaedan.

Prej Stambollit, i dyshuari pretendohet të ketë udhëtuar me autobus deri në qytetin Hataj dhe me taksi të ketë kaluar ilegalisht kufirin sirian.

Në rrethinën e qytetit të Aleppos në Siri, prokuroria thotë se ai “është vendosur në një qendër stërvitore”.

Pas mobilizimit në radhët e Al-Nusras, ai është plagosur dhe pas shërimit është kthyer në Kosovë, thuhet mes tjerash në komunikatën e prokurorisë.

Kryeimami Bajgora: BIK-u ka kontrollin mbi imamët e vet

Në Kosovë veprojnë shumë shërbime inteligjente që ndikojnë në spastrimin e trurit të të rinjve të Kosovës, për t’i dërguar të luftojnë në Siri, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora.

Radio Evropa e Lirë: Kryeimam Bajgora, duke pasur parasysh faktin se në mesin e personave që janë nën hetime, për shkak të dyshimeve për përfshirje në aktivitete terroriste, ka edhe imamë që dyshohet se kanë nxitur radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve në Lindjen e Mesme. A e ka shtuar Bashkësia Islame e Kosovës (BIK-u) kontrollin mbi imamët e saj?

Sabri Bajgora: Është e vërtetë se vitin e kaluar ka pasur një valë arrestimesh të disa teologëve dhe imamëve, për gjoja përfshirjen në aktet kriminale, për terrorizëm. Mirëpo, mund të them se, tash, pas një viti nga ajo kohë që ka kaluar, shumica e imamëve janë liruar.

Sigurisht që hetimet nga ana e prokurorisë vazhdojnë, por ata mbrohen, për momentin, në liri. Ne, si Bashkësi Islame e Kosovës, qysh në fillim jemi pozicionuar shumë qartë, se nëse ka shkas për ndjekjen e tyre apo të çdokujt që përpiqet ta cenojë integritetin dhe sigurinë në Kosovë, pavarësisht nëse është imam ose jo, ndaj tyre duhet të merren masa përkatëse.

Mirëpo, gjithmonë, bazuar në fakte relevante, por jo vetëm supozime që mund të ndodhë të mbeten vetëm supozime. Është e vërtetë që Bashkësia Islame e Kosovës ka shtuar kontrollin – jo censurë, por një kontroll – duke mbajtur mbledhje me imamët, tash e një vit, disa herë, duke i këshilluar që të rrinë sa më larg këtyre rrymave apo ndikimeve që mund t’i kenë nga qarqet e caktuara, duke marrë parasysh që në Kosovë veprojnë lirshëm shumë segmente të sigurimeve të ndryshme inteligjente, që ndoshta ne edhe nuk i dimë dhe njerëzit apo të rinjtë tanë lehtë mund të bien pre e këtyre spekulimeve, këtyre nxitjeve.

Andaj i kemi porositur edhe imamët tonë që të jenë shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm, që në xhematin e tyre të reflektojnë pozitivitet dhe t’ia bëjnë me dije se Kosova është atdheu ynë dhe ne nuk kemi atdhe tjetër rezervë apo nuk kemi tjetër vend ku ne duhet të fokusohemi. Por, pikë parësore e aktiviteteve tona duhet të jetë mirëqenia e popullatës sonë dhe natyrisht edhe prosperiteti i Kosovës në integrimet euroatlantike.

Radio Evropa e Lirë: Kryeimam Bajgora, deri tash, rreth 150 deri 200 pjesëmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak. Llogaritet që Kosova ka numrin më të madh të pjesëmarrësve në luftëra të huaja nga Evropa, për kokë banori. Cilët mendoni se janë shkaktarët që nxisin këtë pjesëmarrje të qytetarëve të Kosovës.

Sabri Bajgora: Vërtetë është për keqardhje që Kosova të renditet në mesin e këtyre shteteve që kanë numër të madh të luftëtarëve në Siri, duke pasur faktin se ne si Bashkësi Islame, qysh në fillim të krizës, do të thotë, në fillim të shkuarjes së njerëzve në Siri për këtë qëllim, jemi pozicionuar që lufta në Siri nuk ka të bëjë me xhihad dhe lufta e Sirisë nuk është luftë e jona, por është një luftë që ata duhet ta zgjidhin vet, është një luftë qytetare. Aty tash nuk dihet kush kundër kujt lufton, sepse tash luftojnë të gjithë kundër të gjithëve…

Radio Evropa e Lirë: A është kjo xhihad, në kuptimin negativ?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se ky është xhihad në kuptimin negativ, sepse xhihadi më i madh është që ne të përkujdesemi për vendin tonë, duke u bazuar në thënien e profetit tonë (Muhamedi a.s.), i cili kthehej nga ekspeditat luftarake e thoshte ‘po kthemi nga xhihadi i vogël ne xhihadin e madh’.

Do të thotë xhihadi i madh është ndërtimi i shtetit, te lufta me vetveten, me egot, me pasionet, epshet etj. Prandaj, nisur nga ky fakt, ne i kemi porositur të rinjtë tanë se nuk ka nevojë askush që të derdh gjak në Siri, por ne duhet të derdhim djersë për ta ndërtuar vendin tonë, Kosovën. E thash edhe më herët, që në Kosovë veprojnë lirshëm shumë shërbime inteligjente, të cilat, në një formë, ndikojnë që ta pastrojnë trurin e të rinjve tanë, duke u premtuar atyre ndonjë pasuri që të shkojnë në Siri apo duk u pretenduar se atje po bëhet vërtetë fetare, e shenjtë.

Sigurisht që të rinjtë tanë, duke qenë tash edhe pjesë e një rrjeti global të rrjeteve sociale, të medieve, të Facebook-ut, të Youtubes, etj. nga pak ata ndikohen edhe nga këto rrjete. Ka dalë edhe një konstatim edhe nga shërbimet tona të sigurisë që një rol shumë negativ, në këtë rast, kanë edhe rrjetet sociale, për të nxitur të rinjtë tanë që të shkojnë në Siri. Ndërkohë që imamët janë përpjekur vazhdimisht që ta ruajnë një rol unifikues dhe ta tërheqin vërejtjen që të mos shkohet në Siri të luftohet kot së koti.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më herët që ka shërbime të inteligjencës, sekrete, të huaja. Sipas jush, kush janë dhe si po i mashtrojnë të rinjtë që t’i bashkohen grupit militant Shteti Islamik? A keni informacione?

Sabri Bajgora: Nuk kemi informacione të sakta, por ka indikacione. Ka indikacione që shumica e të rinjve tanë që e marrin rrugën për Siri, në mënyra të ndryshme klandestine, kanë rënë pre e këtyre shërbimeve inteligjente që veprojnë në dëm të Kosovës. Unë nuk mund ta them me saktësi, por diçka ka në këtë mes, sepse disa të rinjë mendjelehtë, shumë lehtë po përcaktohen që të udhëtojnë nëpër atë rrugë të ferrit, që për mua është një rrugë pa kthim, është një biletë njëdrejtimëshe.

Aty, është vështirë ta imagjinosh që një i ri që ka shkuar atje, të kthehet menjëherë. Jam i bindur që shumica e të rinjve tanë që kanë shkuar për herët të parë, kur janë ballafaquar me realitetin, ata me shumë kënaqësi do të kthehesh prapa, sepse e kanë parë që ata janë të huaj në një vend dhe ajo nuk është luftë e tyre. Mirëpo, fatkeqësisht, siç po ndodh në të shumtën e rasteve, kthim prapa më nuk ka.

Prandaj, edhe një herë e shfrytëzoj rastin që përmes mediumit tuaj, tu bëj thirrje të rinjve tanë, që të mos marrin për asnjë çmim atë rrugë, sepse me këtë nuk e kryejnë asnjë obligim fetar, nëse shkojnë. Përkundrazi, i bëjnë dëm vetvetes, i bëjnë dëm kauzës tonë kombëtare, por edhe asaj fetare.

Radio Evropa e Lirë: Ka pasur mjaft akuza të drejtuara në adresë të BIK-ut, duke thënë se BIK-u i ka “mbyllur sytë” përballë këtij fenomeni, që në fille. Cili është mendimi juaj?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se këto akuza janë të paqëndrueshme. Bashkësia Islame e Kosovës, si një institucion shumë me rëndësi, me një interes të veçantë i ka përcaktuar objektivat e veta qysh moti, qysh para luftës. Ndërkohë, pas luftës, vazhdimisht është po kjo Bashkësi islame që ka tërhequr vërejtjen drejt institucioneve tona që të jenë më të vëmendshme ndaj shoqatave të huaja që po veprojnë në Kosovë.

Për këtë kemi me dhjetëra shkresa drejtuar institucioneve të Kosovës, duke u tërhequr vërejtjen që të mos u lënë hapsirë shoqatave humanitare që të veprojnë edhe në mënyrë fetare. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur, ndoshta me një bekim të fshehur edhe të institucioneve të Kosovës, qoftë të përkohshme , qoftë zyrtare.

Dhe ne, tash jemi para një situate të tillë, që duhet të merremi me pasojat e jo me shkaqet, qysh ka qenë ndoshta puna në fillim. Prandaj, në këtë drejtim, unë mendoj se çdo akuzë ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, është një rëndim ndaj kësaj bashkësie, sepse ne veprojmë tash e 15 apo 16 vjetë pa asnjë status zyrtar. Veprojmë as si Organizatë Joqeveritare e as si institucion zyrtar. Mirëpo, megjithatë kemi arritur ta ruajmë atë bërthamen e Bashkësisë Islame të Kosovës të paprekur, edhe pse diku – diku ndonjë teolog, ndonjë imam, ka pasur ndonjë lëshim.

Mirëpo gjithmonë jemi munduar ta bëjmë punën tonë ashtu siç duhet. Normalisht, në këtë aspekt, Bashkësia Islame, në kohët e fundit është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet qeveritare që merren me çështjen e sigurisë së vendit. Në këtë drejtim, është duke u bërë një punë goxha e mirë, sepse në kuadër të Komisionit republikan për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm apo terrorizmit, ne e kemi përfaqësuesin e Bashkësisë Islame, brenda këtij komisioni, i cili përcjellë aktivitetet dhe po ashtu, jemi pjesë e Strategjisë kombëtare për parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit fetar në Kosovë.

Mendoj se me ndihmën e të gjithë neve, bashkërisht, do t’ia dalim që ta mbrojmë popullin e Kosovës, aq më parë kur dihet se në këto troje, për shekuj, ka mbretëruar një frymë tolerante, një dashuri dhe një respekt i ndërsjellë, ndërmjet feve në Kosovë.

Andaj, mendoj se një klimë e tillë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kosova është një vend i vogël. Kosova nuk e duron dot fjalën terrorizëm e as ekstremizmin, sepse jemi një popull paqësor. Kështu na kanë mësuar të parët tanë dhe kështu shpresojmë të vazhdojmë edhe ne, në të ardhmen. Nuk ka të ardhme Kosova nëse zhytemi në ekstremizëm të çfarëdo lloji qoftë.

Radio Evropa e Lirë: Por, megjithatë, sa mendoni se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi?

Sabri Bajgora: Unë mendoj se me një bashkëpunim të mirëfilltë të institucioneve të Kosovës, ne mund të parandalojmë akte terroriste apo një valë të dhunshme të ekstremizmit. Normalisht që nuk mund të them me saktësi se mund ta evitojmë çdo moment, mirëpo, duhet të jemi shumë syçelë, të vëmendshëm, që të rinjtë tanë të mos i brumosim me ndjenja të tilla që të mund të marrin ndonjë akt të tillë.

Përndryshe, kërcënimet që na vijnë herë pas here nga jashtë, se në Kosovë do të bëhet, ato janë kërcënime, me të cilat ballafaqohet çdo shtet me to. Mirëpo, mendoj që është detyrë e organeve tona të sigurisë që me kohë të hetohen dhe të parandalojnë çdo akt të mundshëm, i cili mund ta destabilizojë Kosovën në vitet në vazhdim.

Shteti dhe “pushteti i katërt” – Nga AGRON SHABANI

…U mor vesh se në fushën ( tabelen) ose lojen e njohur të shahut, pos tjerash, janë tepër me rëndësi mbrojtja dhe fitoret e vazhdueshme të mbretit. Gjithçka tjetër pra i takon mbretëreshës, të cilën lojtaret e rryer dhe me përvojë nuk e japin ose nuk e falin si të thuash kurrë për një  kali ( tore) ose ushtar të thjeshtë në fushë.
Kështu është edhe me mendimin ose opinionin e shfaqur publik i cili vazhdimisht i nënshtrohet ligjit të njohur të gravitetit ose barazpeshës së njohur morale ( etike), profesionale, patriotike, metaestetike etj. Duke i ngjarë kështu një “lavjerrësi” ose këndmatësi profesional dhe metaestetik në atë menyrë që poli ose krahu i djathtë i tij, është gjithmonë i njejtë ose i barabartë me të majtin në raport me epiqendrën. Gjegjësisht, me pikën qëndrore të rëndesës ose gravitetit.
Në fushën e njohur lukrative dhe tepër sfiduerse dhe kompetitive të mendimit ose opinionit të lartë shkencor, politik, diplomatik ose zhurnalistiko-publicistik -sidomos. Ku gazetarët, intelektualet ose analistët e specializuar dhe kompetent të rangut ose nivelit të lartë  shkencor, intelektual ose profesional, vazhdimisht i shohin , godasin dhe arrijnë caqet, objektivat ose qëllimet e tyre intelektuale dhe profesionale në atë menyrë që nuk mundë t´i shohin ( godasin) dhe arrijnë edhe gjithë të tjerët.
Në anën tjetër ndërkaq, ata gjithmonë i kryejnë ose përmbushin detyrat dhe obligimet e tyre morale, intelektuale, profesionale dhe patriotike ndaj popullit ( kombit) dhe atdheut të tyre përkatës ose respektivë në atë menyrë që shtresat ose kategoritë tjera të shtetit dhe shoqërisë i lënë për me vonë apo nuk i përmbushin kurrë?! Duku u ofruar të tjerëve alternative, solucione ose zgjidhje konkrete dhe pragmatike ne tejkalimin e problemëve të tyre akute ose kronike. Gjegësisht, objektive dhe subjektive.
 Shih për këtë, të qenurit (prezenca), sugjerimet, rekomandimet, këshillat ose rezistenca e çfarëdollojshme e elitës ose prominencës së njohur shkencore, intelektuale, ,kulturore, informative ose publicitike në vendin tonë (Kosovë) e kanë peshën, mesazhin, dimenzionin, karakterin dhe rëndësinë e posaçme nepër etapa ose  periudha të ndjeshme dhe tepër sfiduese ose eklektike nepër të cilat po kalojnë Kosova dhe shqiptarët.
Ndonëse, gjithnjë duke e vërë theksin në  “malin e madh”  të obligimëve dhe përgjithësive të shumëta shtetërore, nacionale, politike, morale, intelektuale, kulturore, profesionale, patriotike dhe te tjera të elitave, strukturave ose superstrukturave të njohura intelektuale dhe profesionale- ndaj njeriut ( individit), popullit ( kombit) dhe vendit tonë në të gjitha çështjët dhe aspektët e mundshme.
Kjo pra në një kohë ose periudhë të fluidshme, hektive, turbulente dhe tepër sfiduese dhe dinamike të konsolidimit të gjithëmbarëshem dhe tranzicionit, ku kërkohet përvojë, maturi, edukatë, kulture, pjekuri, emancipim, disiplinë, afinitet, profesionalizëm dhe përgjithësi e lartë morale, shkencore, intelektuale, profesionale, dhe politike nga të gjitha shtresat ose kategoritë e mundshme shtetërore ose qytetar në Kosovë. Dhe, jo vetëm retorika ose oratori të zjarrta ( boshe) pas  ngjarjeve ose vendimëve të medha ose kardinale -historike per fatet e pergjithshme te kombit dhe atdheut tone.Kosova dhe “lehtësia e padurueshme” e  shtetit ligjor dhe demokratik.Disa shembuj konkretë:

Figura dhe personalitete të njohura vendore dhe ndërkombëtare, ka kohe që e kanë ngritur zërin ,duke tërhequr vërejtjet e tyre për forma dhe menyra të ndryshme të abuzimëve ose keqpërdorimëve të ndryshme në të gjitha instancat ose nivelët e mundshme të shtetit dhe qeverisë kosovare në një periudhë të fluidshme dhe tepër hektike të konsolidimit (shteteformimit) të ngadalëshëm dhe tranzicionit. Kjo duke filluar nga që nga klanizimët, fosilizimet, instrumentalizimet, uzurpimet ,privatizimet dhe komercionalizimet e ndryshme ( të pafalshme mbase ) të mekanizmave dhe institucionëve të gjithëmbarshme shtetërore, qeveritare ,politike, diplomatike dhe te tjera në vendin tonë në njerën anë. Si dhe me relativizimin, absolutizimin dhe privatizimin e lirisë dhe moralit të gjithëmbarshëm shoqërorë ose qytetarë nga ana e të të ashtuquajturve liderëve-shtet dhe shtetit -parti! Duke t´i rikujtuar kështu kthetërat, fiksionet, sloganët dhe recidivet e njohura autoritare dhe totalitariste të regjimit të meherëshem komunopansllavist etj.

Ndonëse, pa i harruar këtu fenomenet ose dukuritë e shëmtuara (iracionale)  dhe tepër groteske të krimit të organizuar, kontrabandes, prostitucionit dhe korrupsionit të gjithëmbarshëm dhe të çfarëdollojshëm në vendin tonë së bashku me  kompromiset dhe koncesionet e vazhdueshme teritoriale, politike, administrative, juridike dhe të tjera të Kosovës ndaj Serbisë, Malit të Zi dhe të tjerëve si i ashtuquajturi ” asociacioni i pavarur i komunave serbe” (lëxo: ” republika serbska” ) në Veriun e Kosovës dhe Mitrovicës, ” demarkacioni kufitarë” me Malin e Zi dhe Maqedoninë! Si dhe shumë absurde, paradokse, anakronizma dhe anomali tjera objekive dhe subjektive të shtetit dhe pushtetit kosovarë.
Dhe, cili ka qenë qëndrimi ose pozicioni i mediave të shkruara dhe elektronike ndaj trendëve të mesipërme diviante dhe eskalative në Kosovën e pasluftës?  Në fund shtrohet pyetja. Mbase, gjithnë fjala mbi fuqinë ose pushtetin e katërt në vendin tonë: Si duket, në vend të mbrojtjes dhe afirmnimit të mbretit dhe mbretëreshës, respektivisht, të popullit ( kombit) dhe atdheut tonë, shumica e medieve të shkruara dhe elektronike në Kosovën e pasluftës, me tepër i mbrojten dhe afirmuan liderët e ndryshëm pushtetmbajtës ose politikë së bashku me nomenklaturat ose politikat e ndryshme ditore ose periodike. Dhe, jo popullin ( kombin) dhe shtetin së bashku me vlerat, potencialet ose resursët e njohura globale dhe universale të Kosovës dhe shqiptarëve. Duke u bërë zëdhënëse ose “propaganduese të spikatura” dhe sistematike të së ” vërtetës” ose ” lavdisë së madhe” mbi Isa Mustafën, Skënder Hysenin, Edita Tahirin, Sabri Hamitin, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Adem Grabovcin, Xhavit Halitin  ose ” naçallnikët” tjerë pushtetmbajtës dhe politikë atje që vazhdojnë të lozin, spekulojnë dhe manipulojnë përditë me ndjenjat ( emocionet), pronën ( pasurinë), shtetin, pushtetin dhe moralin e gjithëmbarëshëm shtetërore dhe nacional të popullit ( kombit) dhe atdhut tonë. Duke ua shitur , falur, plaçkitur, kontrabanduar ose stërshitur përditë shqiptarëve të shkretë lirinë, shtetin, moralin e tyre, dinjitetin, identitetin, ekskluzivitetin, sovranitetin, integritetin dhe pasurinë e gjithëmbarëshme shoqërore ose qytetare në Serbi, Mal të Zi, Turqi ose dikund tjetër!
Ndaj, vërtetë është koha e fundit për t´u zgjuar nga marrakotjet, nostalgjitë ose letargjitë e ndryshme objektive dhe subjektive dhe për të mësuar dhe reflektuar në ato gjëra që i bëjnë jetën, botën, natyrën, popullin ( kombin), shtetin dhe profesionin tonë me të dashur dhe me te bukur.

A e kemi qeverinë që e meritojmë? – Nga FLORIM ZEQA

Pas përfundimit të luftes, e në veçanti pas ri-shpalljes së pavarësisë, ka pasur aq shumë pohime, në të njejten kohë mohime të asaj çka është thenë, saqë edhe kritikët më të medhenjë e kanë pasur të veshtirë per t’i bërë analizë proceseve nëpër të cilat kemi kaluar, për shkak të veprimeve kontradiktore dhe lojes së madhe me fjalë.
Pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, ndjenja e të qenuritt çlirimtar i vendit ishte e pakufishme, në shumë raste e tejkalonte arsyen, dilte përtej realitetit, gjë e cila kishte quar edhe në rritjen enorme të numrit të çlirimtarëve, eprorëve, komandatëve, saqë nuk dihej më kush në të vertetë është çlirimtari e kush abuzuesi i tij.
Aq shumë “Gjenerala” na dolen nga lufta e fundit, saqë edhe ushtritë me të fuqishme të rajonit nuk do mund t’i krahasonin numrat e gjeneralëve me këto figura të uniformuara ushtarake.
Poashtu pas shkuarjes në amshim të liderit të LDK-së, presidentit historik Ibrahim Rugova, të gjithë nga mbrendia këtij subjekti politik dhe jasht tij filluan të thirren në filozofinë e tij politike, në vlerat e tij humane siq ishin; durimi, afrimi, bashkëpunimi, dialogu, toleranca…nga të cilat jo që nuk trashëguan asgjë, por që janë larguar aq shumë nga ai vizion, saqë më nuk i ngjajnë aspak asaj vazhdimësie.
Lojë të marrëzishme me fjalë dhe veprime kontradiktore bëri edhe oponenta rugoviane. Ata që deri dje u munduan ta “hajnë” për së gjalli Rugovën, u shëndrruan në përulësit dhe lepirësit më të medhenjë të mermerit mbi varrin e tij.
Thënë me një fjalë u bënë më rugovista se rugovistat e vërtetë (më papë se papa) !
Pra, dëmi më i madhë këtij vendi i erdhi nga papërgjegjësia e liderëve partiak, nga lakmia e madhe për pushtet dhe privilegje,…nga sharjet e fyerjet qe i benin njeri-tjetrit gjatë fushatave zgjedhore, të cilat çdo herë i kthyen  në martesa ( koalicione ) të panatyrshme paszgjedhore, duke shkelur mbi të gjitha parimet, duke i mohuar të gjitha pohimet e tyre gjate fushates,…për  tu berë bashkë për të “miren” e vendit, duke lenë në harresë të plotë popullin që deri dje paturpërishtë e perqanë.
Patriotizmi është dashuria ndaj atdheut, besnikëria, gadishmeria  e të qënurit në shërbim të popullit dhe vendit në çdo rrethanë kohore e politike, duke mos kursyer asgjë nga vetja, sepse atdheu është mbi të gjitha, është i shenjtë dhe i pazavëndësueshëm.
Historia jo shumë e largët e popullit shqiptar, na tregon mjaftë mirë se si patriotët e vertetë gjithmonë kanë sakrifikuar gjithçka nga pasuria e tyre për popull e për atdhe deri të ma e shtrenjta-jetën e tyre.
Ndërsa tek “patriotet” e sotëm çuditërisht ka ndodhur e kundërta e saj. Jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, duke e shfrytezuar fatkeqesinë e popullit të tyre u pasuruan skajshmërisht,…nga hiqi u bënë milionera.
Duke u thirrur në gjakun e deshmorëve më qellim të marrjes së primatit të çlirimtarëve e shpetimtarëve të kombit,…u bënë shkelësit më të mëdhënje të gjakut të dëshmorëve dhe martirëve  të Kosovës.
Në vitet e 90-ta, udhëheqesit politik, veprimtarët e patriotët ishin sinonim i së mirës, admiroheshin e respektoheshin aq shumë nga populli, trajtoheshin si idhuj, per faktin se kemi pasur një lidership të pergjegjëshem (Ibrahim Rugova), kur pushteti moral ushtrohej në terë territorin e vendit, karrshi një okupimi të egër e barbar serb.
Politikanët e pasuruar janë ngritur aq lartë saqë popullin nuk e shofin dhe degjojnë më, po mendojnë se janë berë vetë-Zoti. Ata që vetën e krahasojnë si të tillë, vërtetë  vlejnë shumë pak,…janë më pak se njerëz!
Si rezultat i kesaj njerëzit e politikës në Kosovën e sotme, shiqohen me ironi nga popullata, janë berë sinonim i se keqës. Për fat të keq, shumë aktivist , veprimtar politik dhe atdhetar të devotshëm janë duke u djegur nën hijen e këtyre kusarëve politik.
Përgjegjësia bie mbi vet popullin, që e mbajti kaq gjatë në pushtet një klasë të kriminalizuar, korruptuar dhe shantazhuar politikisht nga ndërkombëtarët!
Një fjalë e urtë italiane thotë; “Çdo vend e ka qeverinë që e meriton”.
Vetëvetiu shtrohet pyetja; a e kemi ne qeverinë që e meritojmë ?
Nëse i referohemi sakrificave të gjata e të panumërta, gjakut të derdhur për liri duhet të themi JO, por nëse e analizojmë heshtjen dhe indiferencën e popullatës përballë kësaj klase të shëmtuar politike, atëherë lirisht mund të themi se nuk e meritojmë më mirë.
Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënja e të madhit dhe të pa vdekshmit, profesorit Fehmi Agani; “Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë”.
Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot.
Prandaj si asnjëherë më parë, tani është koha që ta largojmë të keqën që na ka mbërthyer. Të investojmë në angazhimin e shtresës së pastër kombëtare, intelektuale e akademike, mediale dhe biznesore që të dalin në krye të qeverisjes së shtetit, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarit do t’i kthehet dinjiteti, shtetit të Kosovës progresi dhe përspektiva e zhvillimit ekonomik.

Sekretari John Kerry përkrah Kosovën në UNESCO

UASHINGTON Sekretari i Departamentit të Shtetit, John Kerry, i ka dërguar një letër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçit, ku ka premtuar përkrahje të plotë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësministri i jashtëm Petrit Selimi.

Sipas Selimit, në letrën e sekretarit Kerry thuhet se Kosova ka dëshmuar partneritet me bashkësinë ndërkombëtare për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm.

Ai ka thënë se letra të ngjashme shefi i diplomacisë kosovare, Hashim Thaçi ka marrë edhe nga homologë të tjerë në nivel botërorë, të cilët e përkrahin anëtarësimin e Kosovës, në UNESCO.

Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, tashmë ka hyrë në agjendën zyrtare të Këshillit Ekzekutiv të kësaj organizate.

Në tetor pritet që Komiteti Ekzekutiv i UNESCO-s të votojë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, ku nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave për rekomandim pozitiv për Kosovën.

Më pas, në nëntor lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO do të votohet në Kuvendin e përgjithshëm, ku nevojiten dy të tretat e votave.

Vështrim – Duket së zhbllokimin e krizës institucionale ka mbetur ta bëjnë shtetet e Quintit – Nga SKËNDER MULLIQI

Kur një shteti nuk i shkojnë punët mirë edhe merr gjithëfarë konotacionesh negative. Ne këtë botë kemi ende shtete me sisteme të ndryshme . Por, kryesisht bota ndahet në shtetet e zhvilluara ekonomikisht dhe në shtetet më pak të zhvilluara ekonomikisht . Hondurasi si i vetmi vend në botë thirret “ Republika banane”. Ketë epitet e mbanë me krenari sepse është prodhuesi me i madh i bananeve në botë. Në shtetet tjera “Repubilika e bananeve” kuptohet dhe ka krejt konotacion tjeter.Ka kuptimin e një shteti ku nuk funksionon si duhet rendi dhe ligji.Ku gërshetohen interesat e ndryshme , ku vijnë në shprehje  kriminaliteti i organizuar dhe korrupcioni  galopant.

Një situatë e tillë e keqe e rrjedhave politike dhe ekonomike ka dëpertuar edhe në disa shtete të Evropës , si në Greqi e cila një kohë të gjatë po përballet më krizë të rëndë ekonomike dhe krizë politike, pastaj Spanja dhe Portugalia, dhe deri diku edhe Italia e ndonjë shtet tjeter evropian, gjithashtu po përballen me situata  aspak të volitshme të ecurie ekonomike.Në të gjitha këtë shtete kjo gjendje ka ardhur për shkak së regjimet  atje nuk kanë qenë në nivelin e detyrës.Edhe qytetarët e Kosovës kanë shumë arsye që të jenë të mllefosur në  udhëheqjet shtetërore të pas luftës dhe në partitë kryesore  politike , të cilat e drejtuan vendin që nga çlirimi.Qytetarët e Kosovës janë shumë të brengosur për mos kujdesin e shtetit karshi tyre, e të cilët në pushtet kan ardhur me votën e tyre.Pastaj frustrimi I tyre gjithnjë e më shumë po rritet sepse gjithnjë e më shumë po rritët edhe  pa punësimi i të rinjve, niveli i ultë  I standardit të jetesës, shfaqja më te madhe e krimit të organizuar dhe korrupcionit . Sikur të kishim pasur një zhvillim më të hovshem të ekonimisë sigurisht së edhe problemet politike nuk do të ishin kaq të theksuara.Të gjitha qeveritë e deritashme meritojnë kritika , sepse as për afër nuk ishin në nivelin e kërkuar.Rezultatët ishin dhe janë minimale që nga viti 2000 .Kemi pasur përqindje të ulët të zhvillimit ekonomik  në krahasim më nevojat e qytetarëve.Të ardhurat për kokë të banorit janë të turpshme për kohën në të cilën po jetojmë, edhe pse jemi ende në fazen e tranzicionit të stërgjatur.Kostoja e jetesës është bërë shumë e lartë për standardin tonë.

Të gjitha këto të meta të pushteteve të pasluftes kanë bërë që të kemi këtë stagnacion ekonomik dhe  këtë gjendje të rëndë politike.Nuk është qudi së nga industria nuk ka mbetur po thuaj asgjë, nuk kemi zhvillim te duhur të ekonomisë së mesme dhe ekonimisë së vogël, nuk kemi investime të jashtme dhe investitorë të jashtëm , sepse nuk kan siguri të duhur . Ata po ikin edhe për faktin se kanë presion nga oligarkët politiko –finaciar të Kosovës, të cilët konsiderojnë se investimi i kapitalit të huaj ua rrezikon bizneset . Me poltikanë të korruptuar dhe me plotë procese gjyqësore nuk ka mundësi të ecët përpara. Me njerëz që rastësisht janë gjendur në politikë, pa takat  dhe pa dije , nuk bëhët shteti. Me politikanë analfabet potencialë, shteti mbetet vetëm si një farsë. Vjedhjet e mëdha, keqpërdorimet që nuk kan të ndalur, veq sa po e shtojnë mllefin e akumuluar të popullit. E gjithë kjo ka bërë që të akumullohet më shumë energji negative.Për fat të keq deri diku është instaluar logjika kapitulluese para të keqës . Kriza institucionale  e para do kohe 6 mujore dhe kriza e tashme institucionale më shumë lidhën për interesat individuale, grupore dhe partiake, se sa më interesat e përgjithshme .Maskaradat në kuvend nuk janë gjë tjetër, veq inskenime meskine  për interesa të ngushta. Po të kishin menduar për shtetndërtim  më herët,  tash nuk do të kishim pasur këtë situatë politike acaruese  .Ku ishin pozita dhe opozita  deri me sot,që ta pengojnë  “Zajednicën “.As një reagim nuk e paten  për demarkacionin me Mal  të Zi. Të gjithë liderët e partive politike kanë pasur shumë njohuri se çka po ndodhë , por kurrë para popullit nuk ishin  transparentë. Për “Zajednicën” janë pajtuar moti në bisedimet maratonike më Serbinë nga Grupi i Unitetit edhe më vonë. Nuk e kundërshtuan Planin Gjashtë Pikësh të Ban Ki Munit , i cili gjeti zbatim dhe i cili   prek statusin politik të Kosovës. Tash edhe ajo  pavarësi që na ka mbetur kështu si po shkojnë punët  është duke u vu në rrezik . Një pjesë e madhe  e strukturës se PDK-së bashkë me opozitën  , duket së është e interesuar për rrëzimin e qeverisë të cilën po e udhëheq, Isa Mustafa. Sa ishte Thaçi kryeminister I vendit, nuk pamë këso skenash në Parlament, as gjuajtje me veze. Mikrofonin kryeparlamentarit Veseli në dy seancat e ndërpera ia mori Konjufca   pa pikë problemi. Vetëm një Qeveri Teknike do ta zgjidhte këtë sitautë aspak të mirë , më tendencë të përkeqësimit edhe më të madh.Ne. sikur jemi mësuar tashmë që problemet tona shtëpiake  të na i zgjedhin ndërkombetarët. Edhe në situatën e kësaj krize të re institucionale , duket se i vetmi variant është ndërhyrja e shteteve të Quintit .

Kisha ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës – një kontest i gjatë gjyqësor (ilustruar me shumë foto)

Që nga fillimi i vitit 1990, kur nga peshkopi i atëhershëm, e më pas patriku serb Pavle, ishte hedhur ideja për ndërtimin e katedrales, kisha e “Krishtit shpëtimtar” (Hristos spasos), një tempull ortodoks serb në Prishtinë, e deri sot, ndërtimi i kësaj kishe nga shqiptarët e Kosovës ishte parë si problem politik, e në vitet e fundit është bërë kontest gjyqësor ndërmjet Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës.

Kjo për faktin se kisha ortodokse serbe”Krishti shpëtimtar”, është ndërtuar në hapësirën, të cilën Universiteti i Prishtinës e konsideron të jetë nën shfrytëzimin e tij, rreth 50 vjet me radhë.

Për më tepër, objektit të kishës i janë nisur themelet dhe është ndërtuar gjatë dekadës kur në Kosovë sundonin institucionet nën masat e dhunshme të regjimit serb të Slobodan Milosheviqit, i cili ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë edhe ato në Kosovë.

Kisha, faltore apo “vulë e urbicizmit”?

Por, si shihet kjo kishë nga ekspertë të urbanizmit në Kosovë, por edhe nga përfaqësues të Kishës ortodokse serbe, si dhe zyrtarë të pushtetit lokal dhe qendror në Kosovë?

Ferdane Llonçari, arkitekte, koordinatore e Qendrës për mundësi të barabarta në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, pushteti i dhunshëm serb i instaluar në Kosovë, ka bërë ndërtime të shumta në vend, për të “vulosur” përkatësinë, kinse serbe të Kosovës.

Por, sipas saj, shembulli më flagrant, si e quan ajo, i urbicidit në Kosovë, është rasti i ndërtimit të kishës në hapësirën e Universitetit të Prishtinës.

“Në hapësirat e Universitetit të Prishtinës ekziston një objekt sakral, i ndërtuar në kohën kur nga institucionet e Kosovës kanë qenë të suspenduar njerëzit që kanë punuar më parë në to. Masa të dhunshme. Dihet, ajo ka qenë periudha kur neve na kanë larguar prej institucioneve dhe kanë qenë ata që kanë vendosur jo vetëm për ndërtimin e kishës, por edhe për të gjithë të tjerat… serbët pra, patjetër”.

“Do të thotë po flasim për pushtetin, nën të cilin kemi jetuar. Ajo (kisha) është sakrale, mirëpo është një objekt që e vulos urbicidin në Kosovë. Secili, e konsideron politike, se dihet në cilën kohë është bërë dhe dihet çfarë ka pasur për qëllim ”, thotë Llonçari.

Por, përfaqësuesi i Kishës ortodokse serbe në Kosovë, igumeni Sava Janjiq, nuk pajtohet me vlerësimet se ndërtimi i kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, ka pasur porosi politike.

Ne nuk pajtohemi me këtë kualifikim. Ne konsiderojmë se ajo nuk është kishë politike. Qëndrimi ynë është, dhe ne e kemi përsëritur disa herë, se ne i kemi të gjitha dokumentet se kisha është bërë në mënyrë legale dhe se ajo nuk është kishë e Milosheviqit. Ai nuk e ka ndërtuar atë”.

“Madje, për më tepër, ai personalisht ka qenë kundër ndërtimit të asaj kishe. Kisha është ndërtuar me iniciativën e peshkopit të atëhershëm, i ndjeri patriku Pavle. Ai atëherë ka qenë peshkop dhe ai e ka nisur ndërtimin, për shkak se atëherë në Prishtinë jetonin rreth 40 mijë serbë. Dhe, qytetit i nevojitej një kishë”, thotë igumeni Janjiq për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, Janjiq shton se për ndërtimin e tempullit të saj, Kisha ortodokse u është drejtuar institucioneve ekzistuese në vitin 1990. Rreth një vit e gjysmë janë mbledhur dokumentet për ndërtimin e kishës, ndërkaq, në dhjetor të vitit 1992 janë vendosur themelet e saj. Më pas, në fillim të vitit 1999, kjo kishë ishte ndërtuar, deri në formën që sot e ka.

Kisha u ka bërë kërkesën institucioneve të atëhershme. Ne nuk kemi mundur t’u drejtohemi (nuk e di se cilave) institucioneve tjera. Ne u jemi drejtuar atyre që kanë qenë për momentin në pushtet”.

“Sipas ligjeve të atëhershme, kemi marrë lejen dhe të gjitha kushtet për ndërtim dhe kështu është ndërtuar. Natyrisht, ajo ka qenë një kohë e vështirë, të cilën njerëzit nuk e kujtojnë pozitivisht, por kjo nuk duhet të ndërlidhet me kishën”, konsideron Janjiq.

Por, arkitektja Llonçari, po ashtu edhe eksperte për urbanizëm, shpreh bindjen se ndërtimi i kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, ka mundur të bëhet në ndonjë hapësirë tjetër të Prishtinës.

Por, sipas saj, me vetë faktin se ndërtimi i kësaj faltoreje ortodokse serbe është bërë në hapësirën universitare, ky objekt ka bartur porosi politike.

“Me vetë faktin që lokacioni është zgjedhur aty, unë nuk e di se a ka karakter tjetër, përveç se në një hapësirë të tillë, me një objekt kinse sakral, të vuloset okupimi i këtij vendi”, vlerëson Llonçari.

“Sherri” për kishën, kishte nisur që nga viti 2000

Arkitektja Llonçari thotë se në vitin 2000, ka punuar në Drejtorinë komunale për urbanizëm të Prishtinës, me detyrë specifike, hartimin e rrjetit të shkollave, ambulancave dhe objekteve të karakterit publik.

Sipas saj, pas luftës, Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, në kohën kur atë e drejtonte Bernard Kushner, kishte definuar dy pako të ligjeve: ato diskriminuese, të cilat ishin vendosur në Kosovë gjatë regjimit të Slobodan Milosheviqit dhe që përjashtoheshin për t’u përdorur, si dhe ligjet para asaj periudhe, jo diskriminuese, të cilat hynin në fuqi.

Siç thotë ajo, Michael Daxner, bashkëdrejtues i departamentit të Arsimit dhe Shkencës, në atë periudhë, kishte kërkuar përmes një shkrese që “të lirohen hapësirat e universitetit nga objektet që nuk i takojnë”.

Por, sipas saj, kjo nuk kishte ndodhur.

Në vitin 2012, arkitektja Llonçari, ka qenë këshilltare për çështje të planifikimit të hapësirave të Universitetit të Prishtinës e rektorit të këtij universiteti, Mujë Rugova.

Sipas saj, një zyrtarë i OSBE-së, u kishte thënë se Kisha Ortodokse Serbe dëshiron të bisedojë me Universitetin e Prishtinës, lidhur me vazhdimin ndërtimit të kishës “Krishti shpëtimtar”, për faktin se Qeveria e Kosovës është pajtuar që “hapësira ku është ndërtuar ajo, është pronë e Kishës Ortodokse Serbe” .

Kjo bisedë ka qenë, sipas saj, shkak për t’u takuar menjëherë me ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

“E kemi pyetur se a është legjitime kërkesa e Kishës që të vazhdojnë punimet, me pretekstin që ata thanë se ‘janë pronarë’. Përgjigja ka qenë ‘po’, prej ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi. Ai e ka pohuar realisht atë që ne kemi dyshuar nëse është e vërtetë”.

“Me vetë faktin që ne kemi marrë përgjigje të tillë, te një ministër i Qeverisë së Kosovës, ne nuk kemi bërë pyetje më tutje. Universiteti i Prishtinës, atëherë, nuk ka mund të lejojë më që të na befasojë një veprim i tillë dhe kemi bërë një dosje dhe kemi angazhuar avokat dhe çështja e kishës është në gjykatë”, shpjegon Llonçari.

Në anën tjetër, me gjithë tentimet e Radios Evropa e Lirë për të marrë mendimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ai nuk ka qenë i qasshëm.

Por, ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, duke folur për Radion Evropa e Lirë, mohon që Qeveria e Kosovës, edhe në mandatin e kaluar, t’i ketë dhënë të drejtë pronësie Kishës Ortodokse Serbe, për hapësirën ku është ndërtuar tempulli i saj.

“Jo, nuk është e vërtetë. Jo, jo… nuk është e vërtetë, nuk ka kurrfarë fakte për një gjë të tillë”, thotë ministri Agani.

Çështja në gjykatë

Sidoqoftë, që nga viti 2012, çështja e kishës ortodokse “Krishti shpëtimtar”, është në gjykatë, për të shqyrtuar legjitimitetin e kërkesave të të dyja palëve, Kishës Ortodokse Serbe dhe Universitetit të Prishtinës.

Igumeni Sava Janjiq, thotë se Kisha Ortodokse Serbe është në dijeni se rasti është shndërruar në kontest gjyqësor dhe se dokumentet për pronësinë mbi hapësirën ku është ndërtuar tempulli ortodoks “Krishti shpëtimtar”, i janë dorëzuar Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – OSBE dhe Bashkimit Evropian.

Sipas tij, Kisha posedon dokumentin ku Universiteti i Prishtinës, në vitin 1990, është pajtuar me ndërtimin e kishës. Po ashtu, siç thotë Janjiq, ekziston edhe vendimi i autoriteteve të komunës së Prishtinës, i viti 1990, në favor të ndërtimit të kishës.

“Ky është vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për planin urbanistik të Qendrës universitare në Prishtinë, ‘ku do të ndërtohet objekti i tempullit të katedrales me objektet përcjellëse dhe infrastrukturore. Dokumenti është nga 26 shtatori i vitit 1990 dhe e ka nënshkruar Hamdi Vraniçi, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Do të thotë, ky është dokumenti i parë”, thekson igumeni Janjiq.

Por, megjithatë, Radio Evropa e Lirë, nuk ka arritur ta shohë vërtetësinë e dokumentit, për shkak se igumeni Janjiq, thotëse nuk ka autorizim për ta dërguar atë.

Nuk mund t’ua dërgoj dokumentin, sepse nuk jam i autorizuar”, është përgjigja e Janjiqit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai, gjithashtu, thekson se në vitin 1991, Kishës Ortodokse Serbe i është dhënë vendimi për ndërtim dhe po ashtu vendimi për t’u regjistruar në kadastër.

Igumeni Janjiq shton se dokumentet, që sipas tij, vërtetojnë ligjshmërinë e ndërtimit të kishës dhe pronësisë së hapësirës, mund t’i dorëzohen edhe Komunës së Prishtinës. Por, ai nuk shpjegon se pse kjo nuk ka ndodhur deri më tash.

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës, ka kërkuar edhe më parë që Kisha Ortodokse Serbe, në rast se i ka dokumentet që mund ta dëshmojë ligjshmërinë e ndërtimit të objektit të saj në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, t’i dorëzojë ato për legalizim.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është i njoftuar se çështja e kësaj kishe është dërguar në gjykatë nga Universiteti i Prishtinës. Sipas tij, e gjithë situata rreth kësaj çështjeje, para ligjit, është e thjeshtë.

“Në qoftë se është ndërtim pa leje – sepse ne nuk kemi kurrfarë dokumentacioni- atëherë ai objekt duhet të aplikojë për leje. Në qoftë se e kanë lejen, ata duhet ta sjellin në komunë, në mënyrë që ne ta verifikojmë se ka leje dhe se gjithçka është në rregull”.

“Mirëpo, deri më tani, Kisha Ortodokse Serbe ka hezituar ta sjellë këtë dokumentacion, sepse në njërën anë nuk kanë dashur të pranojnë që t’i nënshtrohen një procesi të legalizimit, sepse për ta kjo nënkupton që ata po pranojnë se është një objekt pa leje. Besoj që kjo është një çështje pak më e ndjeshme politike dhe do të trajtohet me kujdes. Megjithatë, ne nuk mund të marrim pozicion politik, përveçse zbatimit të ligjit që e kemi aktualisht në fuqi”, deklaron Shpend Ahmeti.

Ai shton se është pak e besueshme që Kisha Ortodokse Serbe të mos ketë marrë leje për ndërtim nga institucionet në vitin 1990, të cilat ishin të regjimit të Milosheviqit.

Por, gjithashtu, ai përkujton se në kohën kur ka filluar ndërtimi i kësaj kishe, rektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, Ejup Statovci, ka dërguar kallëzim penal në gjykatë.

Por, cili do të jetë fati i tempullit ortodoks “Krishti shpëtimtar”?

Ministri i Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor, Ferid Agani, thotë se institucionet do të jenë të detyruara të veprojnë në bazë të vendimit që do ta sjellë gjyqi.

“Të gjitha palët janë të detyruara që t’i respektojnë verdiktet përfundimtare të gjyqeve lidhur me këtë çështje. Unë e bashkë-kryesoj, me zotin (Samuel) Zhbogar, Këshillin për mbikëqyrje dhe zbatim, në bazë të ligjit përkatës, i cili merret me këto çështje. Ky këshill e ka pasur si pikë të rendit të ditës çështjen e kësaj kishe dhe është pajtuar i gjithë këshilli se duhet pritur vendimi i gjykatave kompetente lidhur me këtë çështje. Do të veprohet në bazë të këtyre verdikteve”, thotë ministri Agani.

Ministri Agani shton se ka informatë se ka filluar procesi i shqyrtimit të kësaj çështjeje nga gjykata. Megjithatë, ai shpreh mendimin se nuk duhet pritur që domosdo verdikti të jetë, siç e ka quajtur ai “bardh ose zi”, por mund të përmbajë edhe elemente tjera.

Sidoqoftë, edhe Igumeni Janjiq, por edhe arkitektja Llonçari, pajtohen në një pikë, por nga pikëpamje të ndryshme, që kisha “Krishti shpëtimtar” nuk duhet të rrënohet, pavarësisht verdiktit gjyqësor.

Igumeni Janiq, thotë se kisha nuk duhet rrënuar për faktin se është një faltore dhe kjo do të dërgonte sinjale jo të mira në botë për Kosovën.

Ndërkaq, arkitektja Llonçari, shpreh mendimin se kjo kishë nuk duhet shembur, por duhet të mbetet si një “simbol” që do të përkujtojë gjeneratat e reja, për, siç e quan ajo, urbicidin e ushtruar nga një regjim dhe për të gjitha ato që i ka kaluar Kosova në një pjesë të historisë së saj.

kishaort2kishaort3kishaort4kishaort5kishaort6kishaort7kishaort9


Send this to a friend