Gërxhaliu: Është më se e vërtetë që Turqia e ka një rëndësi strategjike në partneritetin ekonomik me Kosovën, me vetë faktin që, është njëra ndër ekonomitë që është duke përjetuar hovin më të madh, të zhvillimit ekonomik
PRISHTINË – Turqia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu duket se po mban ende primatin edhe në investime dhe mëkëmbjen ekonomike në vend. Faktin se sa i rëndësishëm është ky vend për shtetin më të ri në Ballkan e Europë, e potencon edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.
“Është më se e vërtetë që Turqia e ka një rëndësi strategjike në partneritetin ekonomik me Kosovën, me vetë faktin që, është njëra ndër ekonomitë që është duke përjetuar hovin më të madh, të zhvillimit ekonomik”, tha Gërxhaliu në bisedën për Anadolu Agency (AA).
Numri një i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) e forcon arsyetimin e tij dhe nevojën për këtë bashkëpunim, duke u bazuar në tejkalimin e rritjes ekonomike të Turqisë në vitin paraprak dhe ku vazhdon ta ndjekë trendin e kësaj rritjeje edhe në këtë vit. Gërxhaliu “zbulon” edhe dy ambiciet apo qëllimet ekonomike të Turqisë, që sipas tij janë, që në vitin 2030 të jetë në top dhjetë shtetet më të zhvilluara në botë ekonomikisht dhe shifra e eksporteve nga ky vend të mbërrijë në 500 miliardë euro.
Ky përshkrim i shkurtër i pozitës dhe fuqisë së Turqisë në rajon e më gjerë, bën të mendohet në zinxhirin fuqi ekonomike-rëndësi strategjike-rëndësi politike… Edhe pse Gërxhaliu potencoi se është bërë shumë në ndërtimin e raporteve për avancim të partneritetit, megjithatë mbetet ende punë.
Sipas Gërxhaliut, përkundër faktit se vitet 2014-2015 kanë shënuar një rënie të investimeve nga kompanitë turke dhe jo vetëm, krahasuar me atë të disa viteve më parë (2008-2013), ajo çka ka ndodhur ka qenë e lidhur me procesin e privatizimit dhe koncesionit të aeroportit. “Turqia ka qenë ndër vendet e para apo të dyta që ka investuar më së shumti në Kosovë”, thotë ai.
Oda Tregtare Kosovaro – Turke e themeluar në vitin 2008, vit ky që përkon me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe fillimit të vitalizimit të bizneseve të mëdha nga vendi euro-aziatik. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Esin Muzbeg, kjo organizatë me total të investimeve, që kapin shifrën e mbi 300 milionë eurove ka 43 anëtarë dhe disa qindra kompani të mesme dhe të mëdha.
“Totali i investimeve është mbi 300 milionë euro prej Turqisë….kemi 43 anëtarë, 400 kompani janë aktive dhe prej këtyre 400 kompanive 30-40 kompani janë të mesme dhe të mëdha”, tregon Muzbeg.
Ai thotë se fushat e investimeve turke në Kosovë përfshijnë katër sektorë të mëdhenj, atë financiar, të energjetikës, shëndetësisë dhe aviacionit. Muzbeg përmendi një sërë bankash dhe spitaleve prestigjioze në Kosovë por ajo që duket se i bëjnë të ndjehen jo vetëm prezent, por edhe të suksesshëm, është sektori i aviacionit me kompanitë Turkish Arilines dhe Limak.
Kompania turke Limak Kosova e cila do ta menaxhojë aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” për dy dekada, është ndër investitorët e huaj më të mëdhenj në vend e që i afrohen shumës 120 milionë euro.
Haldun Firat Kokturk, drejtor ekzekutiv i ANP “Adem Jashari” Limak-Kosova, thekson për AA se disa nga të arriturat dhe ambiciet e kompanisë për të ardhmen, pa anashkaluar edhe përfitimet që i ka dhe do t’i ketë shteti i Kosovës, nga ky koncesion.
“Marrëveshja e Aeroportit është një nga kontratat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Kosovës… Investimet tona në infrastrukturën dhe pajisjet e aeroportit kapin shumën prej rreth 120 milionë eurosh. 30 përqind të këtij çmimi ne e kemi paguar nga burimet tona vetjake ndërsa pjesën tjetër, nga bankat ndërkombëtare…. Ne do ta menaxhojmë aeroportin 20 vjet dhe gjatë kësaj periudhe, nga çdo metelik i fituar, 39.5 përqind, shikoni nga totali i të hyrave po them, jo nga fitimi, por bruto të hyrat, 39,5 përqind e të hyrave i takojnë shtetit të Kosovës… ndërsa shteti i Kosovës për këtë projekt nuk ka harxhuar asnjë euro të vetme” thotë Haldun Kokturk.
Ai shpjegon se sipas marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës ishte paraparë që projekti i aeroportit të ndahej në tri faza por duke parë nevojën e zgjerimit të terminalit dhe kërkesat e pasagjerëve kosovarë, Limak përshpejtoi dhe bashkoi dy fazat e para duke bërë zgjerimin e hapësirës së shërbimeve.
“Terminali ynë ka kapacitet për të operuar me 3,2 milionë pasagjerë në vit…. Në momentin kur kemi ardhur ne, numri vjetor i pasagjerëve ka qenë rreth 1 milion e 120 mijë…. Konkretisht, projekti fillestar ishte për ndërtimin e një terminali me objekt prej 27 mijë metrave katror, ndërsa terminali aktual i ka 44 mijë metra katrorë.”
Punësimi
Punësimi është një ndër problemet më të përfolura në Kosovë dhe kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu thekson se përmes zhvillimit ekonomik, përkundër vështirësive dhe rrezikut, ky vend drejtpërdrejt ofron edhe vende pune. “Turqia ka qenë më e shpejtë nuk ka menduar shumë, por ka menduar më tepër në aspektin human dhe ekonomik. Turqia dëshiron ta ndihmojë Kosovën në aspekt social sepse si mund të ketë vende të reja të punës”, tha Gërxhaliu
Sipas Muzbeg, statistikat e OTKT-së flasin për një numër të konsiderueshëm të atyre që janë në kontrata pune. “Vetëm kompanitë që kanë ardhur nga Turqia punësojnë diku 6.700 persona në vend”, jep shifrat Muzbeg, fakt ky i cili e shtyn OEK-un që të mbështes fuqishëm investimet prodhuese turke në Kosovë sepse, 90 përqind e eksportit kosovar bëhet për në Turqi dhe më tutje në Lindjen e Mesme.
Por atë çfarë Gërxhaliu e quajti “aspekt social”, pasqyrohet më së miri në shifrat e dakorduara mes Qeverisë së Kosovës dhe Limakut, në Marrëveshjen për punësimin e vendorëve në ANP “Adem Jashari”.
“Sipas kontratës që e kemi nënshkruar, ne jemi obliguar që 544 punëtorë kosovarë t’i pranojmë në kompaninë tonë dhe t’iu vazhdojmë kontratat për së paku tri vjet… në vend se të fillojmë me 544 ne filluam me 670 njerëz dhe ende, përafërsisht, 670 kosovarë janë pjesë e personelit tonë”, tha ai.
Edhe pse vlerësohet se klima në Kosovë për investitorët e huaj është e përshtatshme kërkesat nuk mund të mungojnë për të qenë edhe më mirë. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes Kosovës dhe Turqisë është nënshkruar që në vitin 2013 por duket se ende nuk po e sheh “dritën e ratifikimit”.
Sipas Gërxhaliut kjo çështje ka ngecur në ekzekutiv. “Ne e kemi një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë e cila është nënshkruar që sa vite dhe nuk është ratifikuar në Parlament as në Kosovë, as në Turqi”, deklaroi kryetari i OEK-ut Gërxhaliu.
Sekretari i Përgjithshëm i OTKT-së, Muzbeg, megjithatë thotë se sa i përket palës turke ajo është e gatshme ta fillojë aplikimin e marrëveshjes së nënshkruar. “Marrëveshja është nënshkruar por ende nuk është në fuqi. Nga ana e Turqisë janë kryer procedurat duhet të ratifikohet edhe nga ana e Kosovës” deklaroi Muzbeg.
Krijimi i klimës së favorshme për investime
Se investitorëve të huaj duhet t’iu krijohen kushte më të favorshme, e mbështet edhe kryetari i OEK-ut , Gërxhaliu, duke insistuar se duhet t’iu ofrohet shumë më tepër se sa deri tani. Pavarësisht nga pohimi se pakoja e re fiskale duket se do të sjell lehtësime për biznese, Gërxhaliu, sjell një propozim konkret për joshjen e investimeve të huaja në Kosovë. “Një pako fiskale ndoshta që do të jetë vetëm për investitorë të huaj përmes lehtësirave apo përmes të ashtuquajturave “Task Holiday”, pushimet nga taksat për investime.”
Me këtë propozim pajtohet edhe përfaqësuesi i Odës Ekonomike Turke në Kosovë, duke dhënë si shembull Maqedoninë. “E kam përmendur edhe më herët, në legjisacion duhet të bëhen ndryshime dhe të krijohet një legjislacion stimulus për politikat ekonomike….Duhet të ketë pushim tatimor për investimet, p.sh në Maqedoni ekziston deri në dhjetë vjet mos pagesa e tatimit në të ardhura për të tërhequr investimet e huaja”, deklaroi Muzbeg.
Ndërsa, Haldun Kokturk , Aeroportin e Shkupit në Maqedoni, atë të Tiranës në Shqipëri dhe disa të tjerë në regjion i sheh si “disavantazh rajonale” për shkak të mbështetjes që ato marrin nga shtetet e tyre.
P:5 “Aeroporti i Kosovës ka edhe disavantazh rajonal sepse në afërsi gjendet një numër i madh i aeroporteve, në Shkup, në Tiranë, aeroporte tjera dhe shtetet tjera i japin mbështetje të drejtpërdrejtë me subvencione”, tha Kokturk
Klima politike e rrjedhimisht edhe ajo ekonomike pa përjashtuar kapacitetet e vogla të kapitalit i bën investitorët e huaj të mendohen mirë ku po e hedhin investimin në Kosovë. As Gërxhaliu nuk duket të jetë i kënaqur me prurjen e kapitalit të huaj në Kosovë, kohëve të fundit.
“Shumë më tepër nga Kosova ikin investitorët se që mbesin këtu. Ne duhet ta bëjmë pyetjen çfarë ofrojmë ne për investitorët jo çfarë investitorët ofrojnë për Kosovën”.
Për ritmin e ulët ekonomik, Haldun Kokturk përmend një sërë çështjesh dhe fton qeveritarët kosovarë që të punojnë në krijimin e një klime më të përshtatshme për investime të huaja.
“Është e vërtet që Kosova nuk ka një trend ekonomik… qoftë për shkak të krizës politike, kapitalit të vogël të vendit dhe mënyrës se si e akumulon kapitalin, Kosova nuk po shihet si një treg shumë tërheqës për investitorë të huaj.. Zgjidhja e këtij problemi do të jetë përmes tërheqjes së investitorëve të huaj sepse Kosova, fatkeqësisht, nuk ka kapital për të bërë projekte të mëdha. Paratë që ndodhen në duart e investitorit janë të tijat dhe ai do t’i investojë aty ku do ai. Në këtë aspekt, shumë më me rëndësi se çfarë mendojmë ne, është se çfarë mendon Qeveria e Kosovë”, perfundon Kokturk. SUADA ÇERKEZI