VOAL

VOAL

AAK: Nuk kemi oferta për t’u përfshirë në Qeveri

PRISHTINË – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përgënjeshtron informacionet se kreu i saj, Ramush Haradinaj, ka marrë oferta të ndryshme nga partitë në pushtet.

Më herët, në shumicën e mediave vendore, është raportuar se madje Haradinaj ka marrë ofertë nga koalicioni qeverisës, që ai ta udhëheqë qeverinë, por një gjë e tillë mohohet nga AAK-ja.

“Njoftimet për gjoja do far ofertash për përfshirjen e AAK-së dhe liderit të saj Ramush Haradinajt, në qeverinë aktuale, janë spekullime. AAK dhe opozita në Kosovë i kanë dy kërkesa, e ato janë heqja e dy marrëveshjeve, për demarkacionin dhe asociacionin. Koalicioni qeverisës duhet ta përmbush këtë obligim që është edhe qytetar, dhe të vazhdojë me tema të tjera dhe pa pasur nevojë as për oferta e as për spekullime. AAK i ka hyrë kësaj beteje për një kauzë që është mbi cdo pushtet e jo për pazare politike”, deklaroi sot AAK.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës mblidhet për seancën e ardhshme

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot në orën 11:00, për të shqyrtuar pikat e rendit të ditës për seancën e ardhshme.

Seanca e fundit e Kuvendit është mbajtur më 17 nëntor, ku në mes përplasjesh e tensionesh të shumta dhe pa opozitën, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2016.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Qeveria e Kosovës, ishte ndërprerë ende pa filluar, pasi që deputetët opozitar kanë hedhur sërish gaz lotsjellës në sallë.

Kuvendi është bllokuar që disa javë, pas bllokadës që po krijojnë tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, për Kosovën.

Partitë opozitare po kundërshtojnë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Uashingtoni i këshillon qytetarët amerikanë të kenë kujdes në Kosovë

Në disa mesazhe sigurie të dhëna gjatë tetorit dhe nëntorit të Këshillit Konsultativ të Sigurisë (OSAC) pranë Byrosë së Sigurisë Diplomatike në Departamentin Amerikan të Shtetit, u bëhej dhe u bëhet thirrje qytetarëve amerikanë që duhet t’u shmangen zonave të demonstrimeve dhe protestave në Kosovë.

“Edhe pse protestat synojnë të jenë paqësore, ato mund të kthehen në konfrontime dhe të përshkallëzojnë në dhunë”, thuhet në një mesazh kujdesi për qytetarët amerikanë që udhëtojnë apo që janë aktualisht në Kosovë, transmeton rtk.

Një raportin vjetor mbi Kosovën që ishte dhënë në prill nga ky Këshill, përshkruhej kërcënimi nga terrorizmi rajonal dhe ndërkombëtar, ngjashëm si për shumicën e vendeve evropiane. Mirëpo theksohej se “Kosova ka parë një rritje të ekstremizmit islamik në vitet e fundit”.

Mesazhe kujdesi për qytetarët amerikanë janë bërë disa gjatë dy muajve të fundit për shkak të protestave të opozitës që shpesh përshkallëzuan në të dhunshme. Bile personelit të Ambasadës Amerikane u është ndaluar qarkullimi në sheshin “Nëna Tereze” gjatë këtyre protestave. Këto mesazhe janë dhënë më 14 dhe më 23 tetor për protestën para Kuvendit, pastaj më 21 tetor në Mitrovicën e veriut, më 25 për protestën kundër vendimit të shkarkimit të Rektorit.

Gjatë nëntorit një mesazh i tillë është dhënë për protestën e 11 nëntorit të veteranëve të luftës në Pejë dhe mesazhi i fundit për kujdes për personelin diplomatik dhe qytetarët amerikanë për 19 nëntor për protestën e partive opozitare që gjithashtu qenë të dhunshme dhe pati të lënduar si nga policia ashtu edhe nga radhët e protestuesve.

Opozita e bashkuar: Do të vazhdohet bllokimi i Kuvendit

Paraburgimi i shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, dhe kërkimi për arrestim i tre deputetëve të “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, nuk do ta zmbrapsë opozitën nga bllokimi i punës së Kuvendit përderisa nuk anulohet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin. Madje, opozitarët thonë se koalicioni qeverisë ose duhet t’i arrestojë të gjithë opozitarët, ose t’i anulojë marrëveshjet pasi, sipas tyre, në asnjë formë ata nuk do të lejojnë që të ketë normalitet në vend.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë për “Zëri’ se arrestimi i deputetes së kësaj partie, Donika Kadaj-Bujupi, dhe tentimi për të arrestuar edhe tre deputetët e “Vetëvendosjes”, vetëm sa do t’i forcojë argumentet e opozitës kundër pushtetit. “Kjo mënyrë e sjelljes së pushtetit vetëm se do ta forcojë opozitën në argumentet e veta dhe kështu ky pushtet do ta tregojë fytyrën e vet të një pushteti diktatorial, duke burgosur deputetët dhe duke bërë veprime antiligjore dhe antikushtetuese me dy marrëveshjet, të cilat i ka nënshkruar e që ne nuk tërhiqemi nga qëndrimet tona sepse konsiderojmë se po i bëhen dëme të mëdha Kosovës”, është shprehur Isufi.

Më tej nënkryetari i AAK-së ka thënë se opozita do të vazhdojë të pamundësojë zhvillimin e seancave. Sipas Isufit, derisa të anulohen marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit nuk do të ketë normalitet në vend.

“Do të vazhdojmë me qëndrimin tonë, me veprimet tona, të cilat pamundësojnë realizimin e dy marrëveshjeve të dëmshme për shtetin dhe për popullin e Kosovës. Ne i kemi treguar këtij pushteti se derisa këta e kanë bërë Kosovën jonormale në funksionim, atëherë nuk do të ketë normalizim të funksionimit të Kuvendit të Kosovës sepse falja e tokës së Kosovës dhe ndikimi i Serbisë në Kosovë përmes ‘Zajdenicës’ është dëmi më i madh që po i shkaktohet vendit, prandaj do t’i bëjmë të gjitha veprimet demokratike që mundësojnë mosrealizimin e këtyre dy marrëveshjeve”, ka shtuar Isufi.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se opozita do të vazhdojë me bllokimin e Kuvendit deri në anulimin e marrëveshjeve. Madje, sipas tij, edhe nëse vetëm një deputet i opozitës mbetet në Kuvend, legjislativi i Kosovës nuk do të mundë të zhvillojë seanca normale. “Faktikisht pushteti po synon që përmes përdorimit të forcës dhe mjeteve të dhunës ta frikësojë opozitën, por vetëm edhe një deputet i opozitës nëse mbetet i lirë, besoj që është i mjaftueshëm që ta bllokojë mbarëvajtjen e seancës, përmes së cilës mendojmë se po e bllokojmë edhe punën e Qeverisë që e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendit. Do të shkojmë në seanca, por me metodat tashmë të njohura për moslejimin e mbajtjes së seancave”, ka potencuar Berisha. Ai po ashtu ka thënë se nuk duhet të thirren seanca të reja, pasi kjo do të nënkuptonte tensionim edhe më të madh të situatës. /Zëri/

Opozita në Kosovë: Bashkë kundër atyre që po e shkatërrojnë vendin

Pamje nga takimi i së shtunës i opozitës në Prishtinë, 21 nëntor 2015

 

Liderët e partive politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në një tubim të mbajtur me kryesitë e degëve dhe simpatizantët në Prishtinë, deklaruan se do t’i arrijnë synimet politike dhe do ta ndalin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ata thanë, po ashtu, se çfarëdo dhune që mund të përdoret ndaj opozitës, nuk do të mund t’i ndalë qëllimet e tyre.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në tubimin e strukturave të subjekteve opozitare, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 28 nëntor, në mënyrë masive dhe paqësore, të dalin për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

 “Ne nuk mund të bindemi dhe nuk do të bindemi kurrë ndaj një pushteti që kërkon t’ia japë mbi 10 mijë hektarë të Kosovës një vendi tjetër. Ne nuk mund të pranojmë dhe do të vazhdojmëderi në fund betejën kundër një pushteti që betonon ndarjen e Kosovës përmes ‘Zajednicës’, e rikthen Serbinë në Kosovë, dhe i formalizon dhe i veshë në uniformë strukturat ilegale e kriminale të saj”, tha Ymeri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e akuzoi Qeverinë e Kosovës, që siç u shpreh ai, po e zvogëlon pavarësinë e Kosovës.

Ai tha, po ashtu, se opozita nuk do të lejojë që të ketë “dy zotë shtëpie” në Kosovë.

“Nuk mundet dikush tjetër në vendin tonë të jetë zot shtëpie. Sot Kosovës po i ofrohen dy Kosova, pra aso lloj marrëveshjesh dy kuptimëshe – Brukseli t’i interpretojë në dy mënyra. Cilat janë ato dy Kosova; një Kosovë e 17 Shkurtit dhe një Kosovë e ‘Zajdenicës’. Nuk ka se si do të jetë në të mirën e rajonit kur Serbia ka vendim-marrje në Kosovë. Nuk do të lejohet kjo”, deklaroi Haradinaj.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha se kryeministri Isa Musatafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, po i keqpërdorin të gjitha instrumentet shtetërore dhe po vihen në shërbim të mbrojtjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Limaj u bëri thirrje të pranishmëve që të përcjellin mesazhe anekënd vendit te qytetarët, pa dallim të bindjes së tyre partiake, që, siç tha ai, të gjithë të bashkohen më 28 nëntor në një manifestim paqësor për të kundërshtuar dy marrëveshjet që, sipas tij, po e shkatërrojnë Kosovën

“Ju ftoj që ta zgjeroni fuqinë tonë, bashkimin tonë në mbrojtje të Kosovës. Kosova sot ka nevojë për një zë të fuqishëm, i cili bashkon dhe stopon të keqen që po i kanoset”, theksoi Limaj.

Në takimin e opozitës së bashkuar,folën edhe anëtarë të partive opozitare e deputetë.

Ish- kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tash pjesë e partisë Nisma për Kosovën, duke folur për qeverisjen aktuale, tha se ajo po e keqpërdor gjithë pasurinë shtetërore.

Krasniqi theksoi se koalicion [PDK – LDK], nuk e ka mandatin qytetar, për të bërë marrëveshje të tilla që janë në dëm të vendit.

Opozita ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së,  Donika Kadaj – Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.


Arton Konushevci

[email protected]

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Osmani dhe Deda, plan për ta nxjerrë Kosovën nga kriza

Dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, që konsiderohen si “disidentë” nga partitë e tyre,  Vjosa Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LKD) e Ilir Deda nga Lëvizja “Vetëvendosje”, kanë prezantuar një plan konkret për daljen nga kriza politike dhe legjislative në Kosovë. Ata këtë plan pretendojnë t’ua dorëzojnë liderëve të partive politike, Hashim Thaçit, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Visar Ymerit dhe Fatmir Limajt, që ta nënshkruajnë dhe t’i japin fund krizës dhe bllokadës politike në vend.

Në këtë marrëveshje, e cila ka pesë pika, parashihet që Kuvendi i Kosovës ta themelojë një komision hetimor të udhëhequr nga opozita për ta shqyrtuar Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe aty thuhet se Kuvendi i Kosovës do t’i zgjedhë dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese me qëllim që vendimi i saj për kushtetutshmërinë e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe të bëhet me Gjykatë Kushtetuese të kompletuar.

Kurse në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i zgjidh dilemat për Asociacionin, ata propozojnë që Kuvendi t’i drejtohet Komisionit të Venedikut për sqarime shtesë.

Deputetët, Deda dhe Osmani, kanë thënë se idenë e tyre e kanë përkrahur edhe kolegë të tjerë nga Kuvendi i Kosovës dhe po ashtu propozuan që kjo marrëveshje do të duhej të nënshkruhej nën mbikëqyrjen e presidentes së Kosovës, në ushtrim të rolit të saj si faktor i unitetit politik në vend.
Kjo marrëveshje do të votohet si rezolutë e Kuvendit të Kosovës në seancën e radhës, më së largu 7 (shtatë) ditë nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, thuhet në këtë propozim të Osmanit dhe Dedës…

Ekspertët: Antikushtetues arrestimi e paraburgimi i deputetes Donika Kadaj-Bujupi

Arrestimi dhe paraburgimi i deputetes së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, është vlerësuar si antikushtetues dhe antiligjor, për shkak të imunitetit që ka deputeti.

Madje, njohësit e çështjeve kushtetuese ka thënë se organet e drejtësisë do të duhej të kërkonin sqarime nga Gjykata Kushtetuese dhe të mos nguteshin me arrestimin e deputetes opozitare. Ata thonë se Kushtetuta e përcakton qartë se deputeti i Kuvendit nuk mund të arrestohet përderisa është duke kryer detyrat e tij si deputet, pa pëlqimin e shumicës së të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se shumë veprime që po ndodhin rreth nesh po dëshmojnë se institucionet e shtetit, duke përfshirë edhe Prokurorinë dhe gjyqësorin, madje edhe Odën e Avokatëve, kanë një deficit të madh profesional. Pasi, sipas tij, në të kundërtën nuk do të ndodhte arrestimi i deputetes së AAK-së.

“Sikur të kishim ekspertë të mirë, njohës të Kushtetutës, të ligjeve edhe të Kodit Penal të Kosovës, as fletarresti, as ndalimi e dënimi nuk kanë guxuar të ndodhnin. Deputetët kanë imunitet me Kushtetutë e me Ligjin për Deputetët. Kështu siç është bërë arrestimi, është antikushtetues dhe antiligjor. Deputetët nuk kanë imunitet për ndjekje penale, por kanë imunitet që të mos ndalohen dhe arrestohen në mënyrën si është vepruar me deputeten, Kadaj-Bujupi”, ka vlerësuar Krasniqi. Madje, sipas tij, do të duhej të kërkohej edhe sqarim nga Gjykata Kushtetuese rreth imunitetit të deputetes. Sipas ish-kryeparlamentarit të Kosovës, imuniteti i deputetit nuk vlen vetëm në akuzat për krime lufte. Zëri

Christopher Hill: Bashkimi Europian nuk është konstruktiv – 5 shtete nuk e njohin Kosovën

Ish-ndërmjetësi amerikan në bisedimet në Rambouillet, ka kritikuar Bashkimin Europian për qëndrimin ndaj Kosovës duke thënë se mosnjohja e pavarësisë nga 5 shtetet nuk është konstruktive.

Christopher Hill ka thënë se në masë të madhe tërë rajoni i Ballkanit ka pësuar për faktin se për shumë vende, pas marrëveshjes së Deytonit, ka ekzistuar ndjesia se Ballkani duhet vetë të zgjidhë problemet e tij.

Ai ka shtuar se “do të donte të shihte se një vëmendje më e madhe se po i kushtohet kësaj situate nga ana e SHBA-së.

Hill ka folur edhe për Kosovën duke thënë se qasja e Brukselit nuk është konstruktive ndaj saj.

“Kur e shikoni Kosovën, atë edhe sot nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, gjë që nuk është situatë konstruktive”.

Andaj, Hill mendon se duhet të ekzistojë mirëkuptim, “se ja jemi këtu, 20 vjet pas Deytonit, por ka aq shumë të pakryera”.

“Duhet të nxjerrim energjinë e ripërtërishme nga shënimi i i këtij përvjetori për të mbaruar punën e pakryer”, tha Hill për Zërin e Amerikës”, transmeton qik.

Christopher Hill po merr pjesë në Konferencën dyditore në Deyton me të cilën po shënohet 20 vjetori i Marrëveshjes dhe arritjes së paqes në Bosnjë e Hercegovinës.

Presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton tha se Daytoni solli paqen, po puna nuk u krye.

Çitaku: Serbia keqpërdor OKB-në për të krijuar idenë se pavarësia e Kosovës është e përkohshme

Beogradi dhe Prishtina shkëmbyen akuza të ashpra në debatin e zakonshëm për Kosovën të zhvilluar të enjten pasdite në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, u përplasën sidomos rreth çështjes së kandidaturës së Kosovës për t’u pranuar në UNESCO, një votim që përfundoi me dështim për Prishtinën.

Në komentet e saj, zonja Çitaku, vendi i së cilës këtej e tutje do të përfaqësohet në këtë debat në nivel ambasadori, akuzoi Serbinë për fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, duke e quajtur këtë fushatë “shumë brutale, të pandershme, faktikisht të pasaktë dhe madje raciste.”

Nga Serbia, tha ajo, u përdor gjuha e urrejtjes e një niveli të paparë dhe të papranueshëm.

Ministri i Jashtëm serb i hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur agresive komentet e ambasadores. Ai tha se zyrtarët e Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm me gjuhën që përdorin. Zoti Daçiç gjithashtu e quajti të papranueshme pezullimin e marrëveshjes me Kosovën nga Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.

Ai tha se Serbia e do dialogun me Prishtinën jo sepse Kosova është e pavarur, por për të zgjidhur çështjet praktike mes dy palëve.

Ambasadorja e Kosovës, u përgjigj se Kosova është vend i lirë e i pavarur dhe se kjo nuk do të ndryshojë. “Sa më shpejt ta kuptoni këtë, – tha ajo, – aq më mirë do të jetë për Serbinë.” Përsa i përket përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, zonja Çitaku tha se “ne nuk do të kërkojmë lejen tuaj për të ushtruar të drejtën tonë.” Herën tjetër, tha ajo, Kosova do t’ia dali të bëhet anëtare e UNESCO-s.

Në debatin me tone të ashpra, ambasadorja e Kosovës i bëri thirrje Serbisë të mos ndryshojë, siç tha ajo, “faktet e historisë.”

Para kësaj, dy përfaqësuesit shprehën pikëpamjet e tyre për dialogun mes dy vendeve.

Ministri i jashtëm serb kritikoi Prishtinën se sipas tij “ajo nuk respekton marrëveshjet dhe detyrimet që merr” dhe se nuk ka ndërmend për ta bërë më të mirë jetën dhe të drejtat njerëzore të serbëve në Kosovë.

Zoti Daçiç tha se kushtet politike, sociale dhe ekonomike në të cilën jeton komuniteti serb në Kosovë vazhdojnë të jenë shumë komplekse. Ai tha se Serbia pret që bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja në veçanti, të vazhdojë të ofrojë ndihmë për ndërtimin e besimit, i cili, theksoi ai, është baza e vetme solide për të siguruar një jetë normale për të gjithë në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë tha se përpjekjet e njëanshme, të tilla si kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO janë hapa në drejtimin e gabuar dhe dëshmojnë për mospërfilljen e marrëveshjeve të arritura, siç ishte rasti i pezullimit të marrëveshjes për krijimin e asociacioneve në komunitetet me shumicë serbe.

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Çitaku, tha se udhëheqësit në Kosovë përballen me shumë pyetje nga njerëzit dhe nga partitë politike lidhur me vlerën e dialogut, ndërsa Serbia vazhdon të ndryshojë qasjen e saj në varësi të rrethanave.

Në Kosovë, tha ajo, ka një trysni të fortë publike për të justifikuar angazhimin e qeverisë në dialogun me Serbinë. Vendimi i Presidentes së Kosovës për ta kaluar çështjen e asociacionit të komunave serbe në Gjykata Kushtetuese, do të krijojë qartësi, tha zonja Çitaku, e cila shtoi se duhet lejuar që Gjykata të bëjë punën e saj dhe të vlerësojë kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Zonja Çitaku tha se nganjëherë debati politik në Kosovë mund të jetë i ashpër, por askush nuk duhet të ketë dyshime për angazhimin e vendit ndaj vlerave dhe idealeve euroatlantike. E ardhmja evropiane e Kosovës është e pakthyeshme, tha ambasadorja.

Ajo kritikoi Serbinë se po e keqpërdor Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke u përpjekur të përhapë idenë se statusi i Kosovës nuk është i përcaktuar dhe se pavarësia është e përkohshme.

Zonja Çitaku tha se nuk është e nevojshme që Këshilli i Sigurimit të mblidhet çdo tre muaj për të përsëritur të njëjtat qëndrime të vjetra.

Në seancë folën edhe përfaqësues të vendeve të tjera anëtare. Përfaqësuesi i SHBA tha se gjendja në parlamentin e Kosovës është shqetësuese dhe bëri thirrje për ndaljen e dhunës. “Ne, – tha përfaqësuesi i SHBA, – kërkojmë që qeveria e Kosovës ta zgjidhë këtë gjendje dhe të mos lejojë asnjë aktivitet kriminal në institucionet e saj demokratike. Populli i Kosovës pret që përfaqësuesit e tij të zgjedhur të kthehen në parlament menjëherë.”

Kosovë – digjen 150 hektarë pyje në pronësi shtetërore

150 hektarë pyje në pronë shtetërorë janë djegur në fshatin Kurillovë të Vushtrrisë. Ngjarja ka ndodhur me 15 nëntor rreth orës 15:30. Për këtë, Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar, i cili ka filluar të djegë disa barishte dhe nga pakujdesia e tij zjarri ka përfshirë pyjet.

Me datë 15 nëntor në Kurillovë të Vushtrrisë janë djegur 150 hektarë pyje në pronësi të Shtetit. I dyshuari për shkaktimin e zjarrit, më 18 nëntor është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai kishte filluar të djegë disa barishte dhe nga pakujdesia e tij zjarri ka përfshirë rreth 150 hektarë pyje pronë shtetërore. Njësitë e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes duke lokalizuar dhe fikur zjarrin, raporton Gazeta Express.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt./GazetaExpress/

75 mijë shqiptarë ikën nga Kosova për 6 muaj prej varfërisë

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar dy hulumtime që kanë në fokus analizimin e shkaqeve, pasojave të emigrimit të parregullt dhe ndikimin në procesin e integrimit për Kosovën, gjegjësisht, në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Periudha më kritike e largimit të qytetarëve drejt vendeve të BE-së ishte prej tetorit 2014 deri në mars të këtij viti. Sipas shifrave zyrtare të agjencisë së statistikave të BE-së, Eurostat, gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore, rreth 75 000 qytetarë kanë emigruar në BE.

Gjatë muajve tetor-dhjetor 2014, numri i qytetarëve që u larguan nga vendi ishte 25 880, ndërsa kulminacionin kritik e arriti në tremujorin e parë të vitit 2015 (janar-mars 2015), ku 48,875 kosovarë u larguan nga vendi. Për më tepër, në periudhën janar-mars të këtij viti azilkërkuesit nga Kosova prinin për nga numri i kërkesave për azil, madje renditeshin në vendin e parë, gjegjësisht para vendeve si Siria dhe Afganistani.

Sipas hulumtimit të QKSS-së, shkaqet socio-ekonomike renditën ndër faktorët e parë që kanë shtyrë qytetarët të migrojnë në BE. Vendi përballet me shkallë të lartë të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë, ku 35.4 për qind e qytetarëve e forcës aktive për punë janë të papunë, ndërsa kjo është më së shumti e shprehur te gjeneratat e reja, gjegjësisht 61 për qind e të rinjve janë të papunë, transmeton qik-u.

Azilkërkuesit nga Kosova të intervistuar për qëllime të këtij hulumtimi, janë shprehur se papunësia, kushtet e vështirë socio-ekonomike dhe vështirësia për të gjetur punë kanë qenë arsyet pse janë larguar jashtë vendit për një perspektivë më të mirë. Sidoqoftë, vendet e BE-së kanë bërë të qartë se nuk do ketë azil për kosovarët për çështje ekonomike.

Faktori i dytë që ka ndikuar në rritjen masive të numrit të azilkërkuesve ka ardhur si rezultat i rrjeteve kriminale të kontrbanduesve që operonin në Kosovë dhe Serbi, që kontrabandonin migrantët kosovarë përmes Serbisë drejt BE-së. Rruga kryesore e migrimit të kosovare drejt BE-së ishte përmes Serbisë, përkatësisht qytetit të Suboticës ku ishin të përqendruar rrjetet e kontrabandistëve që bënin transportimin e migrantëve prej atje drejt Hungarisë.

Ky hulumtim tregon që as autoritetet përkatëse serbe nuk ishin të gatshme të luftonin kontrabandistët dhe se ishin të dijeni të funksionimit të këtyre grupeve deri në momentin kur kjo çështje mori përmasa alaramante.

Edhe mungesa e bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës me atë të Serbisë. Gjatë periudhës kritike të migrimit masiv të kosovarëve, është vënë në pah se institucionet e Serbisë nuk kanë qenë të gatshme të bashkëpunojnë me ato të Kosovës për parandalimin e migrimit të parregullt dhe migrimit ilegal. Sipas Policisë së Kosovës, pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim sa i përket luftimit të grupeve të kontrabanduesve dhe për të parandaluar migrimin ilegal.

Sidoqoftë, institucionet e Serbisë nuk dhënë asnjë informacion për këtë çështje. Nga ana tjetër, Serbia u aktivizua për të parandaluar migrimin ilegal të kosovarëve vetëm në momentin kur për këtë pati presion nga shtete të BE-së, veçanërisht nga Gjermania.

Migrimi, rikthimi dhe procesi i riintegrimit paraqesin një nga shtyllat kryesore në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Këto çështje u bënë prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës fill pas marrjes së udhëzuesit për liberalizimin e vizave. Rrjedhimisht, këto dy elemente monitorohen me kujdes nga Komisioni i BE-së vit për vit, për të shënuar progresin ose regresin e bërë në këtë drejtim. Megjithatë, fluksi i madh i migrantëve ka bërë që opinioni publik në Kosovë të ngre pyetje mbi lidhjen e mundshme ndërmjet procesit të liberalizimit të vizave dhe rritjes së migrimit të parregullt.

Duke qenë ndër kushtëzimet kryesore për liberalizimin e vizave, Komisioni Evropian e shikoi procesin e ripranimit pozitivisht deri më 2014. Megjithatë, fluksi e migrimit të kosovarëve hapi një kapitull të ri sfidues për autoritetet e Kosovës; ai me shumë gjasë do të ndikojë në vlerësimin e 2015 në aspektin e numrit të azilkërkuesve, duke sfiduar MPB që ta menaxhojë aktivisht procesin e ripranimit si tërësi, për të demonstruar se BE e merr këtë çështje seriozisht.

Duke u ballafaquar me një rrjedhë masive migrimi dhe aplikimesh për azil, shtetet anëtare të BE-së, në veçanti Gjermania, Austria e Hungaria, u përgjigjën praktikisht “me zero për qind” normë miratimi për kosovarët. Vendimi për kthimin e azilkërkuesve nga Kosova u mor në bazë të vendimit se Kosova konsiderohet vend i sigurt origjine dhe se qytetarët mund të kthehen të sigurt nga gjithsej 12,780 vendime, pra afro 99%, ose 12.605 ishin negative.

Prandaj, këta qytetarë do të deportohen (kryesisht mbi baza vullnetare) me sanksione dhe ndalim rihyrjeje në gjithë zonën Shengen. Si pasojë e kësaj, ritmi i përgjigjeve ndaj numrit të kërkesave për azil nga Kosova është shumë i shpejtë, prandaj ky departament ka procesuar rreth 14.000 raste deri tani.

Ndërsa, procesi i ripranimit radhitet mes kritereve teknike në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, përkatësisht në Planin me Nivele Teknike që duhen përmbushë nga Qeveria e Kosovës, mbetet megjithatë një aspekt politik prapa procesit, duke marrë parasysh numrin e votave të nevojshme nga shtetet anëtare të BE-së.

Migrimi masiv riktheu përqendrimin prapë mbi Kosovën, duke ngritur vëmendjen te nevoja për përmirësime politike, ligjore, sociale e ekonomike në përafrimin e saj drejt BE-së. Ndërsa aspekti teknik mund të përmbushet lehtë në bashkëpunim me shtetet anëtare të BE, është mjaft e vështirë të rifitohet besimi i vendeve të BE pas migrimit masiv. Vështirësitë shfaqen në mendimet e shteteve anëtare dhe në vullnetin e tyre për ta dhënë një votë mbështetëse që potencialisht do të frymëzonte më tej migrimin masiv.

Për më tej, migrimi masiv i ka kontribuar një qëndrimi përgjithësisht të pafavorshëm ndaj Kosovës dhe se ka shtete të BE-së që shfaqin hezitim në këtë aspekt.

Për më tej, rastet paraprake në Ballkanin Perëndimor, si ai i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë nuk kanë shërbyer si shembuj të mirë të regjimit pa viza – si politikë e BE-së në vetvete. Regjimi pa viza frymëzoi qytetarët e Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që të kërkojnë azil në vendet e BE-së menjëherë pasi u mor vendimi për liberalizim.

Ditë pa protesta sot, por me fjalor të ashpër opozitë – pushtet

Liderët e partive opozitare në Kosovë kanë marrë vendim që t’i shtyjnë protestat e radhës të paralajmëruara pas arrestimit të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Donika Kadaj-Bujupi.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj dhe kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj e kanë cilësuar arrestimin e deputetes së AAK-së si veprim dhe vendim politik që është ndërmarrë me urdhrin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka dërguar mesazhe kryeministrit Mustafa dhe zëvendësit të tij, Thaçi se edhe ata mund të kenë pasoja për këto veprime.

“Edhe Mustafa, edhe Thaçi duhet ta mendojnë se një ditë munden të thyhen edhe dyert e shtëpive të tyre, sepse ata nuk janë jashtëtokësorë. Aq sa janë me legjitimitet, autoritet familjar Albin Kurti, aq sa është Albulena Haxhiu, aq sa është Donika Kadaj, po aq janë edhe ata, edhe ata kanë shtëpi diku. Nëse ata mendojnë të shkojnë në këtë mënyrë për ta mbrojtur ‘Zajednicën’ dhe për të thyer shpitë e shqiptarëve me policë shqiptarë, janë shumë gabim”, është shprehur Haradinaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka shkruar se opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë, por bëri kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale.

Sipas Thaçit, opozita sot po pushon, për të blerë kohë dhe gjej njerëz të tjerë të dhunshëm kudo që mundet sepse radhët e tyre po rrallohen.

Të mërkurën, opozita organizoi protesta, të cilat eskaluan në dhunë, pas arrestimit të deputetes, Donika Kadaj-Bujupi të cilës i është shqiptuar masa prej 30 ditëve paraburgim.

Ndërkohë që policia është në kërkim edhe të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka kërkuar që Policia e Kosovës, siç ka thënë ai, të mos bie nën ndikimin politik të Isa Mustafës e Hashim Thaçit.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që mos të bëhen argat të njerëzve të pushtetit. Kundërshtimi jonë është politik i cili ka mbështetjen e qytetarëve. Për të kundërshtuar ‘Zajednicën’ e Daçiqit dhe Vuçiqit. Kosova sot është kapur peng nga dy njerëz të cilët janë të gatshëm ta shtinë popullin në konfrontim”, ka thënë Ymeri.

Akuzat e opozitës, i ka kundërshtuar ministri i Brendshëm, Skender Hyseni i cili ka përgëzuar policinë për profesionalizmin e treguar gjatë menaxhimit të gjendjes nga protestat e të mërkurës.

“Kërkesa ime eksplicite për Policinë e Kosovës është, zbatojeni ligjin, as më pak as më shumë. Askush nuk do të amnistohet nga barra e përgjegjësisë që e bartë”, është shprehur Hyseni.

Protestat e opozitës, thuhet se kanë si qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve që Kosova ka arritur në dialog me Serbinë, sidomos asaj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Po ashtu, po kundërshtohet edhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Të tre liderët opozitar kanë rikujtuar se do të ftojnë një manifestim kundër qeverisë së Kosovës dhe politikave të saj në dialogun me Serbinë me 28 nëntori në Prishtinë.

Në shenjë kundërshtimi dhe me kërkesën për lirimin e deputetes Donika Kadaj Bujupi, gratë deputete nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë, kanë organizuar në qendër të Prishtinës një marsh protestues.

Diplomatët perëndimorë e dënojnë dhunën në Prishtinë

Të enjten ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në një deklaratë të përbashkët dënuan “përdorimin e vazhdueshëm të dhunës për arritjen e qëllimeve politike”.

Në deklaratë bëhet thirrje “për respektimin e sundimit të ligjit, procedurave demokratike dhe normave ndërkombëtare. Dhuna politike është e papranueshme dhe dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës dhe pozitën ndërkombëtare të Kosovës. Ajo nuk i sjell dobi askujt. Ne përgëzojmë Policinë e Kosovës për profesionalizmin dhe theksojmë  rëndësinë që ka bindja ndaj ligjit nga ana e të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh rangun apo pozitën”, thuhet në deklaratë.

Prishtina duket e qetë paraditën e së enjtes pas protestave të së mërkurës që lanë pas vetes 13 të lënduar, 22 të arrestuar dhe shumë dëme materiale.

Për shumë orë më radhë, policia u përlesh me grupet e protestuesve të partive opozitare pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj Bujupi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe bastisjes së banesave të dy deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Policia hodhi gaz lotsjellës mbi grupet e veprimtarëve të partive opozitare që hodhën gurë, ngjyrë e gjësende të tjera mbi forcat e policisë.

Protesta u përshkallëzua në orët e pasditës pas vendimit të Gjykatës themelore në Prishtinë për t’i shqiptuar masën e pabargumit prej 30 ditësh deputetes Kadaj Bujupi.

Opozita diskutoi të enjten veprimet e mëtejme, ndërsa është shprehur e vendosur që të pengojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës hodhën në disa raste gaz lotsjellës në mjediset e parlamentit për të pamundësuar mbajtjen e seancave të tij.

Marrëveshjet me Serbinë që çuan në shtim të tensioneve politike ndërmjet koalicionit qeverisës dhe partive opozitare, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që janë edhe kusht për afrimin e tyre me strukturat evropiane. Ato i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila u nënshkrua me 27 tetor.

Pamjet filmike nga Prishtina njeriun e bëjnë të brengosur për fatin e Kosovës – Nga Skënder MULLIQI

Pamjet filmike për ngjarjët tragjike që po na servohen çdo natë nga bota ,ku po shikojmë njerëz të vrarë ,të sakatosur të mbuluar më gjak, sikur nuk po na  i prekin   shumë ndjenjat  .Të mendojmë  të gjithë më koka esull për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Tmerri që përjetuan parizienët  të premtën nga akti terrorist sikur u qitë shpejt në harresë nga kjo klasë e jona politike. Sikur u harruan paralajmerimet edhe të  disa përsonaliteteve  të botës , së “ Lufta e Tretë Botërore “ tashmë ka filluar. E krijuam shtetin e Kosovës, më mund të madh ,  me ndihmën e madhe të miqëve tanë të botës demokratike.Kjo kastë politike me veprimet e saja me vetëdije ase pa vetëdije  nuk po kan shumë konsideratë karshi shtetit dhe kombit . Ndoshta dikush edhe thotë , po le ti bre burrë se nuk je kompetent të japësh vlerësime të tilla. Për çka atëherë të mendojmë , të flasim dhe të shkruajmë. Populli  deri me tash nuk është futur midis veprimeve jo të mira të Pozitës dhe Opozitës . Kjo qka po ndodhë në Parlament dhe jashtë tij,  e ka delegjitimuar pushetin , por edhe deri diku ka përjashtuar edhe opozitën e cila me elemente të dhunës dëshiron të rregullon punët  jo të mira  të pushtetit. Këto pamje filmike  nga Prishtina  njeriun e bëjnë të merzitur, të brengosur së çka në të vërtetë po ndodhë në këtë vend i cili mezi e pau dritën e lirisë. Çfarë fati të keq do të thosha  kemi. Për 90 vite na rrahën dhe na mbytën dajkë serbosllavët sikur të ishim do thasë të shqyer, e jo  njerëz në tokën tonë. Tash kemi filluar të rrahemi  më njeri- tjetrin sikur të ishim armiq , e jo vëllezër të një gjaku.Secila ngjarje e pa mirë  cila po na vjen nga rrugët e Prishtinës ,sigurisht  së i përjetojmë  rëndë . Dihet së sa më larg të jesh , aq më bujë edhe bën një ndodhi, ndoshta jo e një përmase të tillë .Por, sado e vogël  që është ajo  , tingëllon keq dhe është mbytëse .Ka shumë njerëz në mesin tonë , si gazetarë apo të rrjeteve të ndryshme  sociale, të cilët mund të japin vlerësimin mbi ngjarjet e fundit në Kosovë, duke iu përmbajtur korrektësisë . Vetëm këto vlerësime na bëjnë mirë si shtet dhe komb , të gjitha vlerësimet e një anshme apo të gjyrosura partiakisht na sjellin dëme të pa riparushme .Unë jam i vetëdijshëm  për shkallën e rrezikshmerisë të gjithë asaj së qka po ndodhë , duke qenë dëshmitarë  të  situatës politike  gadi shpërthyese në botë .Sigurisht së kemi njerëz në Kosovë , të cilët do të bënin një analizë të mirë të situatës  së komplikuar politike , pa u bë si shikuesit në tribuna të cilët anojnë  për skuadrën e preferuar të tyre .Kjo çka po na servohet dhe të cilën po e shohim , nuk duhet të klasifikohet si e mirë apo e keqe, por të klasifikohet si jo e dobishme ,kur dihet së  të gjithë armiqët tanë, mezi  po presin  të shohin një situatë kaotike në Kosovë. Incidentët , rrahjët dhe plagosjët pa marrë paraysh kush është në pyetje, policia apo protestuesi,  është zullum mbi vlerat tona . Neser mos e dhashtë Zoti të ndodhin gjera edhe më të dhembshme , së e keqja dhe e mira nuk kan kufizime , nuk na amniston askush nga faji.   Ne, jemi një popull i vogël në këtë botë, dhe mu për këtë gjë duhet të veprojmë më kokën esull,  ta bashkojmë popullin rreth idealit për mirëqenje dhe idealit  për bashkim kombëtar.Të rreshtohemi  të gjithë kundër të keqës kudo që paraqitet ajo, duke dhënë porosi të mira.Shumë kjo ditë sotme e protestave në Prishtinë , po i ngjan ngjarjëve  në Liban.Po shkruaj  sikur shumë tjerë , se nuk dimë në këto momente çka të shkruajmë tjetër, duke parë së në vendin tim ngjarjët e eskaluara në rrugë, janë jo të mira, pa marrë parasysh së kush  çfarë qëllimi ka. Situata e  tensionuar  në mbarë globin , secilin e detyron të merret më tekste të tilla. Unë nuk i dua tekstet e tilla…

Prishtinë – Përundon për sot protesta e opozitës

Ka përfunduar protesta e opozitës për sot por ajo do të vazhdojë. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi në një prononcim për KTV’në ka thënë se për sot ka përfunduar por që do të vazhdojnë më tutje.

“Ka një gatishmëri të Qeverisë që shtetin ta kthejë në një shtet policor”, tha Krasniqi, duke komentuar për protestën e organizuar sot.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se ata do të dalin përsëri nesër në ora 11:00.

Eskalimi i situatës ka ardhur pas arrestimit dhe masës së paraburgimit të deputetes Donika Kada Bujupi

Prishtinë – Pas vendimit për ta mbajtur në burg deputeten Donika Kada Bujupi, përshkallëzohet situata

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që deputetja e Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja, Donika Kadaj-Bujupi të mbetet në paraburgim për 30 ditë. Lajmin e ka konfirmuar avokati mbrojtës Arianit Koci.

“Gjykata ka marrë vendimin, është caktuar masa e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. Mendoj se vendimi është i pa drejt jo proporcional dhe unë do të ushtrojë ankesë në këtë vendim,” tha Koci.

Aktualisht në sheshin “Nëna Terezë” është duke u zhvilluar një protestë ku policia është duke përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve të cilët e kundërshtojnë ketë vendim të gjykatës.

Forcat e policisë arrestuan të mërkurën në mëngjes deputeten e parlamentit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi.

Arrestimi i saj pasoi njoftimet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për katër deputetë të parlamentit, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputeten Kadaj-Bujupi.

Deputetët e opozitës disa herë radhazi kanë hedhur gaz lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës dhe kanë pamundësuar mbajtjen e seancave.

Njësia speciale e Policisë së Kosovës ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të aktivistëve të partive politike opozitare: Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës, të cilët ishin të mbledhur para Qeverisë së Kosovës në Sheshin Nënë Tereza në Prishtinë.

Të pranishëm në protestë kanë qenë edhe liderët e partive politike opozitare Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe deputeti Albin Kurti i cili është duke u kërkuar nga policia për arrestim.

Protestuesit të cilët ishin mbledhur para institucioneve për të kundërshtuar arrestimin e deputetes Donika Kadaj – Bujupi, pasi kanë kuptuar se për të është kërkuar nga prokuroria masa e paraburgimit prej 30 ditësh, kanë nisur të hedhin koktej-molotovi, ngjyrë dhe gurë në drejtim të policisë dhe institucioneve të Kosovës.

Avokati i deputetes Bujupi, Arianit Koci tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka bazë ligjore që deputetja të mbahet në paraburgim”.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësitet e saj, deri në orën 14:15, kanë arrestuar 13 protestues si dhe ka konfiskuar një çantë të dyshuar e mbushur me koktej molotovi.

Baki Kelani zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se policia po vazhdon me ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.

“Protesta në disa lokacione është ende duke vazhduar në një numër të vogël. Si pasojë e gjithë kësaj dhune të shprehur nga ana e protestuesve deri në këto momente kemi informacione se tre zyrtarë policorë janë të lënduar”, tha Kelani.

Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se trajtim mjekësor në këtë qendër kanë kërkuar dy pjesëtarë të Policisë se Kosovës dhe dy kalimtarë të rastit.

“Ata janë në trajtim mjekësor dhe bëhet fjalë për një gjendje të mirë shëndetësore, që konsiderohet jashtë rrezikut për jetë”, tha Lenjani.

Forcat e policisë arrestuan të mërkurën në mëngjes deputeten e parlamentit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj – Bujupi.

Arrestimi i saj pasoi njoftimet se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër-arrest për katër deputetë të parlamentit, Albin Kurtin, Albulena Haxhiun dhe Faton Topallin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputeten Kadaj-Bujupi.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar lirimin e deputetes Kadaj-Bujupi ndërsa u bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë, që “të mos shndërrohen në vegla të pushtetit duke zbatuar urdhrat e politikës së të korruptuarve dhe kriminelëve institucional: Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”.

Në reagimin e kësaj partie thuhet se “AAK së bashku me opozitën është e vendosur të mos lejojë kalimin e dy marrëveshjeve. Asociacionin dhe Demarkacionin, përkunder shantazheve të pushtetit të korruptuar dhe kriminal, i cili është vënë në tërësi në funksion kundër interesave të shtetit duke cenuar rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.

Kurse në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje, ka treguar se banesa e Albin Kurtit dhe ajo e Albulena Haxhiut janë bastisur nga Policia e Kosovës në mëngjes.

“Policia po i përgjigjet urdhërave policore të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit të cilët janë të gatshëm ta shndërrojnë Kosovën në shtet policor, vetëm që të mos heqin dorë nga pushteti i tyre dhe nga marrëveshjet që kanë bërë me Serbinë. Deputetja Kadaj – Bujupi duhet liruar menjëherë dhe përndjekja ndaj opozitës duhet të përfundojë”, thuhet në komunikatën e këtij subjekti.

Partitë opozitare për gati dy muaj po pamundësojnë mbajtjen e seancave të parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht, me të cilat marrëveshje thuhet se komunave me shumicë serbe u ofrohet një shkallë e gjerë autonomie si dhe marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Deputetët e opozitës disa herë radhazi kanë hedhur gaz lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës dhe kanë pamundësuar mbajtjen e seancave.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i ka bërë thirrje opozitës që të tregojë respekt për institucionet e popullit të Kosovës, si dhe të përmbahet nga dhuna që kërcënon sigurinë e njerëzve dhe funksionimin normal të shkollave dhe shërbimeve publike.

Deklarata pason përleshjet e sotme në Prishtinë, midis policisë dhe protestuesve, të cilët janë mbledhur pas arrestimit të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi.

Kjo e fundit është arrestuar si pasojë e veprimeve të opozitës për bllokimin e Kuvendit.
Arton Konushevci

[email protected]

Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka një fëmijë.

Krasniqi: Nisma tërhiqet nga protesta nëse ka dhunë

Voal – Duke qenë se është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Krasniqi ka paralajmëruar se mund të tërhiqen nga protesta e 28 nëntorit nëse do të ketë shenja dhune.

Ai në Rubikon ka thënë se ne si Nismë do të protestojnë dhe do të kërkojnë që ato të jenë të qeta në të kundërtën nuk do ti përkrahin.

“Ne do të tërhiqemi nga protesta nëse përdoret dhuna, ne thjeshtë nuk do të përkrahim asnjë formë të dhunës dhe nëse me 28 nëntor shohim se ka vetëm një sekuencë dhune, ne do të tërhiqemi. Thjesht ne nuk duam të kacafytemi me policin tonë”, tha Krasniqi.

Krasniqi po ashtu ka paralajmëruar se tri partitë opozitar do të kandidojnë si një subjekt politik në zgjedhjet e ardhshme.

“Nëse këto parti që janë bashkuar për të mbrojtur një çështje nacional atëherë nuk do të kishte kuptim të kandidojnë të ndara. Unë besoj se do të jemi në një listë të përbashkët dhe kjo mbete të bëhet e ditur në vazhdim ose pasi të shpallën zgjedhjet”, tha ai.

LDK: Sulmet në Kuvend kishin qëllim të lëndonin kryeministrin

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se veprimet e dhunshme të opozitës në Kuvend kishin si qëllim kryesor lëndimin e liderit të kësaj partie dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Përmes një komunikate, LDK “dënon ashpër aktet e dhunës dhe sulmet e njëpasnjëshme të kryera nga deputetët e partive opozitare, gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, të cilat, vlerësohet se kanë vënë në rrezik jetën e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, përfaqësuesve diplomatikë dhe punonjësve të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

“Aktet e ulëta, të karakterizuara nga përdorimi i mjeteve helmuesve, si sprej dhe gaz lotsjellës, siç deklaruan vetë kryesit e këtyre veprimeve të tmerrshme, kishin për cak kryesor të lëndojnë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë legjitime të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se aktet e tilla të opozitës janë veprime kriminale, të cilat nuk duhet të tolerohen më tutje nga organet kompetente.

Mbreti Abdullah në Prishtinë: Jemi para Luftës së Tretë Botërore

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu i dytë dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga diskutuan në Prishtinë për rreziqet nga ekstremizmi

Mbreti i Jordanisë, Abdullahu i Dytë, tha të martën në Kosovë se bota është në prag të luftës së tretë botërore kundër njerëzimit.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilën e takoi në kuadër të një turneu të planifikuar më herët, gjatë të cilit ai do të qëndrojë edhe në Austri dhe në Spanjë.

Të dy ata shprehën tronditjen e tyre me sulmet e javës së kaluar në Paris, duke e cilësuar atë si sulm ndaj vlerave dhe lirive.

Këto sulme, tha mbreti Abdullah, tregojnë se ligësia e terrorizmit mund të godasë kudo dhe kurdo. Grupet si Shteti Islamik e shfaqin veten çdo ditë si egërsira  të jashtëligjshme të religjionit, të zhveshur nga humanizmi dhe që nuk respektojnë asnjë ligj dhe asnjë kufi.

“Jemi pak para luftës së tretë botërore kundër njerëzimit. Kjo na bashkon të gjithëve, kjo është luftë, siç e kam thënë shpesh, brenda islamit dhe, fatkeqësisht, mbi 100 mijë myslimanë janë vrarë vetëm në dy vitet e fundit nga Shteti Islamik dhe kjo nuk përfshin mizoritë e kryera nga  grupet e ngjashme në Afrikë dhe në Azi”, tha mbreti Abdullah duke nënvizuar se kjo është arsyeja për një reagim gjithëpërfshirës.

Presidentja Jahjaga tha se mposhtja e rrjeteve terroriste është sfidë që duhet të kundërshtohet  nga të gjithë dhe se duhet përkuhstuar vëmendjen dhe të gjitha burimet për t’i shkatërruar dhe mposhtur ato.

“Kosova do të vazhdojë ta dëshmojë këtë përcaktim këtu. Nuk do të jemi strehimore e as rrugë kalimtare për këto elemente dhe do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë për ta adresuar këtë çështje”, tha presidentja Jahjaga.

Mbreti Abdullah duke theksuar mbështetjen e Jordanisë për Kosovën, tha se Kosova pasqyron vlerat më të mira të tolerancës dhe bashkëjetesës dhe të se ato janë vlerat që duhet të ndërtohen për t’ju kundërvënë barbarizmit që ndodhi javën e kaluar në Paris.

Fletarreste Albin Kurtit Albulena Haxhiut, Donika Kada-Bujupit dhe Faton Topallit

Policia ka provuar të arrestojë deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, derisa ai po e lëshonte ndërtesën e Kuvendit – gjë që ka çuar deri te konfrontimi fizik midis deputetëve opozitarë dhe policisë

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarreste ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kada-Bujupit dhe Faton Topallit, njoftojnë mediat vendore.

Lajmin nuk e kanë konfirmuar edhe burimet zyrtare, por vetëm kanë rikujtuar se ndaj deputetëve në fjalë janë zhvilluar hetime për më gjatë se një muaj, për shkak të përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend dhe gjësendeve tjera të ndaluara.

Edhe partitë opozitare, gjatë paradites, kanë konfirmuar se policia ka provuar të arrestojë deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, derisa ai po e lëshonte ndërtesën e Kuvendit – gjë që ka çuar deri te konfrontimi fizik midis deputetëve opozitarë dhe policisë.

Herën e fundit kur policia ka ndaluar Kurtin, përkrahësit e opozitës kanë sulmuar stacionin policor, duke shkaktuar dëme dhe përleshje me policinë.

Miratohet projektbuxheti në një seancë kaotike brenda e jashtë Kuvendit

Mes përplasjesh e tensionesh të shumta dhe pa opozitën, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projekt-ligjin për buxhetin e vitit 2016.

Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga Qeveria e Kosovës, është ndërprerë ende pa filluar, pasi që deputetët opozitar kanë hedhur sërish gaz lotsjellës në sallë.

Ndërpritet seanca me gaz lotsjellës

Madje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka provuar që të kalojë përmes sigurimit të hedh sprej në drejtim të kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka shpallur pauzë.

Më pas, partitë e koalicionit janë mbledhur në sallën alternative në katin e pestë të Kuvendit dhe kanë vazhduar punimet pa opozitën, duke shqyrtuar projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm.

Salla alternative e Kuvendit

Këtë seancë e kanë përcjellur nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka cilësuar të papranueshme, por edhe kriminale disa sjellje të deputetëve opozitar në Kuvend.

“Kjo që ndodhi sot mendoj që është akt kriminal i individëve, për të cilat institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin masa. Është e papranueshme një tolerim dhe sjellje e tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Me qëndrime të ngjashme është paraqitur edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Askush nuk do të mund ta bllokojë Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe toleranca ndaj këtyre akteve të dhunshme dhe kriminale duhet të jetë zero”, është shprehur Thaçi.

Në anën tjetër, opozita e ka cilësuar uzurpim të Kuvendit sjelljen e partive në pushtet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kërkuar përgjegjësi pse opozita është përjashtuar nga punimet e seancës.

“Pyetja më e rëndësishme që duhet t’ua bëjnë gazetarët policëve është se a kanë përfaqësues ata këtu dhe kush i ka vendosur ata këtu. Përfaqësuesi i tyre duhet të tregojë se nga kush e ka marrë urdhërin, që opozita të përjashtohet nga seanca plenare. Kjo është një pyetje politike e përgjigjen besoj duhet ta jap qeveria, pushteti”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa seanca po vazhdonte në sallën alternative, opozitarët kanë hedhur gaz lotsjellës edhe nëpër korridore të Kuvendit.

Indiferent ndaj këtyre zhvillimeve nuk ka qëndruar as ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, i cili ka përcjellë nga afër të zhvillimet e sotme.

“Dhuna duhet të ndalet dhe duhet të vendoset a jeni për një Kosovë demokratike. Kuvendi e ka thënë mendimin e vet se është për këtë, policia po ashtu”, ka thënë Delaëie.

“Duhet të kuptoni që përfaqësuesit e popullit zgjidhen në kuti votimi dhe jo me armë”, ka theksuar ambasadori amerikan. Ai u ka dhënë mbështetje deputetëve të pozitës, policisë dhe stafit të Kuvendit të cilët po punojnë në kushte të vështira.

Ndërkohë që përplasjet në Kuvend po vazhdonin, para ndërtesës së Kuvendit një grup i aktivistëve dhe simpatizantëve të opozitës po protestonte.

Më pas, ky grup është përleshur me njësitë speciale të policisë së Kosovës, duke i sulmuar me gurë e gjësende tjera. Policia në disa raste ka përdorur gazin lotsjellës për shpërndarjen e këtyre protestuesve.

Kurse në një rast, deputetët opozitar janë përleshur me policinë derisa po i bashkoheshin grupit të protestuesve.

Sipas opozitës, policia po provonte ta arrestonte deputetin e Vetëvendosjes Albin Kurti, kështu që kjo kishte shkaktuar këtë përplasje.

Po ashtu, si pasojë e gazit lotsjellës, ndihmën mjekësore kanë kërkuar deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurti e Albulena Haxhiu.

Ndërkaq sipas Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, dy policë dhe një deputete kanë kërkuar ndihmën mjekësore.

Prej tyre, njëri polic është goditur me gurë në kokë dhe ka marrë plagë më të rënda.

Përderisa Policia e Kosovës, përmes një komunikate sqaron se janë lënduar gjashtë pjesëtar të policisë nga dhuna e protestuesve, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë.

Diku rreth orës 12:00, gjendja është qetësuar, kurse protestuesit janë shpërndarë pasi që nga ndërtesa e Kuvendit janë larguar deputetët e opozitës.

Seanca e radhës për miratimin përfundimtar të Ligjit për Buxhetin e vitit 2016 është paralajmëruar se do të mbahet ne fillim të muajit dhjetor.

Mbreti i Jordanisë, Abdullah II viziton Kosovën

Voal – Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Hussein dhe një delegacion mbretëror do të qëndrojë sot për vizitë zyrtare në Kosovë, me ftesë të presidentes Atifete Jahjaga.

Pritja me ceremoni zyrtare nga ana e Jahjagës do të bëhet në orën 12:20 në sheshin “Ibrahim Rugova”, me ç’rast presidentja dhe mbreti do të japin deklarata para mediave.
Pas takimit në zyrën e presidentes, mbreti Abdullah II në orën 13:50 do të takohet me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në ndërtesën e Qeverisë.
Policia e Kosovës mbrëmë njoftoi se ka ndërmarrë masa të rrepta sigurie gjatë gjithë kohës sa delegacioni mbretëror do të qëndrojë në Kosovë. Mes tjerash, prej orës 08:00 deri në 14:00 do të jetë i mbyllur për qarkullim sheshi “Ibrahim Rugova”, si dhe do të ketë ndërprerje të përkohshme të disa akseve rrugore në kryeqendër gjatë kohës së kalimit të eskortës së mbretit.

Kuvendi i Kosovës: sërish gaz lotsjellës dhe përleshje fizike midis sigurimit dhe Albin Kurtit

Në fillim të seancës së Kuvendit të Kosovës sot në mëngjes erdhi deri tek një përleshje e shkurtër fizike ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe sigurimit të Kuvendit

PRISHTINË – Në fillim të seancës së Kuvendit të Kosovës sot në mëngjes erdhi deri tek një përleshje e shkurtër fizike ndërmjet deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe sigurimit të Kuvendit, i cili tentoi që me sprej të spërkatë anëtarët e kabinetit qeveritar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se opozita vetveten është duke e përjashtuar nga puna e Kuvendit, dhe më pas ka dhënë pauzë. Pas asaj deputetët kanë hedhur gaz lotsjellës dhe deputetët kanë qenë të detyruar të braktisin sallën e Kuvendit.

Në rend dite në seancën e Kuvendit është vetëm një pikë në rend dite, debati mbi propozim Buxhetin për vitin 2016. Seanca mbahet me thirrje të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Njëkohësisht, njësitë speciale të policisë kosovare janë përqendruara para godinës së Kuvendit ku kanë filluar të tubohen mbështetësit e opozitës. aa

Kosovë – Opozita hedh sërish gaz lotsjellës në Kuvend

Opozita e Kuvendit të Kosovës sapo ka nisur senaca, janë nisur drejt foltores së Kuvendit. Ata janë penguar nga sigurimi i këtij institucioni.

Kryetari i Kuvendit, ka apeluar opozitën që ta lejojë vazhdimin e seancës, derisa ka kërkuar nga ata që të deklarohen nëse dojnë ta vazhdojnë seancën ose jo.

Ata nuk kanë dhënë afat për përgjigje, duke hedh kështu sprej drejt ministrave.

Opozitës nuk i ka mjaftuar vetëm hedhja e gazit në sallën e seancave. Ata si herën e kaluar, kanë hedhur gaz lotsjellës edhe në hollin e kuvendit.

Ramush, eja t’kuvendojm’ – Nga ANTON QUNI

Ramush, t’kujtohen kohnat kur kuvendojshim n’oda, n’familje, n’shoqata, n’klube, e qe besa edhe n’male, e n’bjeshk’. N’ato kohna kemi andrrue ushtrin’ ton’, gjyqet tona, qeverin’, Kuvendin, kemi andrrue shtetin ton’.

Ka do vjet i kemi shumicën, e tjera jemi tuj i krijue. Mundet që nuk jan’ ashtu qysh i kem’ andrrue, pra munden m’u kan’ ma t’mira, po jan’ tonat.

Do gjana nuk na shkuen qysh kem’ andrrue, po duhet me u ul burrash e me pa se çka nuk ka shkue si duhet. Pra, asht’ koha t’kuvendojm’ prap’. Asht’ koha me t’ngue, por edhe me m’ngue, e m’i ngue edhe tjer’t. Po me ngue pa tim, pa fishk’llye, dhe pa than gjith’ ato fjal’ t’rana. Jam besimplot se kem’ me u kuptue mir’ me njani-tjetrin. Qysh jem’ kuptue n’okupim e n’luft’, duhet me u kuptue edhe n’paqe.

Po njashtu, jam besimplot se tuj kuvendue burrash, mujna me e gjet pikën e pajtimit.

Ramush, na presin edhe shum’ pun’ me i krye, aq shum’ jan’ sa nuk mundet askush vet me i krye.

Na i duh’mi njani-tjetrit! Na i duh’mi Kosovës!

E kem’ bekimin e popullit me kuvendue aty ku asht’ vendi.: n’Kuvend t’Kosovës. Veç aty kem’ mund’si me krijue forc’, dhe me arrit fitore. Masandej kem’ mund’si me e dhez nga nji cigare, e me e çue nga nji got’ raki, e qe besa edhe me k’ndue, njashtu qysh e kem’ tradit me ju gzue fitoreve tona.

Ramush, mblidhi shokt e ejani t’kuvendojm’ aty ku e kishim t’ndalueme, dhe ku kem’ andrrue me kuvendue: n’Kuvendin e Kosovës!

Vllaznisht, Antoni!

Luftimi i korrupsionit, premtim i papërmbushur i presidentes Jahjaga! – Nga FLORIM ZEQA

Ishte vigjilje e krishtlindjeve të vitit 2011, pas kthimit nga vizita në SHBA, presidentja Jahjaga e entuziazmuar nga takimi me sekretaren e parë të shtetit amerikan Hillary Klinton, me të arritur në Aeroportin e Nderkombëtar “Adem Jashari”, kishte dhënë një deklaratë mjaft optimiste për qytetarët e vendit: ” Jam shumë e përkushtuar per ta fituar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe këtë mund ta bëjmë vetëm nëse jemi të organizuar e të mobilizuar mbrenda një strukture të vendit tonë”, duke aluduar në krijimin e “Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit (KKKK).
Kjo deklaratë e presidentes Jahjaga, në opinionin e gjërë kosovar ngjalli opinione të ndryshme , madje ngjalli edhe shpresa ( jo reale) të një pjesë e popullatës, se ja më në fund erdhi qasti i duhur kur do të filloj luftimi i vërtetë i korrupsionit, krimit të organizuar, e dukurive të shumta negative dhe shkatrrimtare për shtetin dhe të ardhmën e qytetarëve të saj.
Meqë deklarata e presidentes nga zarfi (amerikan) lidhej me vizitën e saj në SHBA, shpresat më tepër ishin tek mbështetja amerikane se sa të gjysëm fjalët e presidentës !
Mbase, kjo ishte një deshirë apo qëllim i mirë i saj për të bërë diqka në atë drejtim, mirëpo mundësitë, (pa) fuqia e saj politike dhe ekzekutive nuk e lejuan të shkoj më tutje në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar…
Edhe pse kaluan katër vite nga ajo kohë, krijimi i KKKK në vepër mbeti një “KRRRK” i madh i presidentes, i mbetur vetëm në letër shkaku i pafuqisë së saj politike dhe arsyes pse presidentja nuk është produkt i zgjedhjeve të lira, e as votes së lirë të qytetarëve, por është produkt i “një marveshje politike”, i një pazari poltik në mes të tre liderëve partiak (Thaçi-Pacolli-Mustafa) me ndërmjetësimin e Dellit amerikan, e cila më së miri i shkoi për shtati Hashim Thaçit, në mbajtjen e pushtetit me më pak se 30 % të votave të qytetarëve.
Roli i presidentes së dalë nga ajo marrveshje politike është tepër minimal, madje edhe më i vogel se i një ministrie të rendomtë, ajo për më tepër përdoret si një dekor institucional i qeverisë (paraprake) aktuale, se sa një institucion  i lartë dhe prestigjioz i shtetit, që realisht do duhej të ishte kushte dhe rrethana normale.
T’i kthehemi premtimit të papërmbushur të presidentes së shtetit në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një fjalë e urtë Italiane thotë: “ogni promessa è un debito”, që në gjuhën shqipe i bie: “çdo premtim është një borxh”, prandaj premtimi i presidentes Jahjaga përveqse premtim është një borxh i pakthyer ndaj qytetarëve të Kosovës.
Është e pa justifikueshme heshtja dhe indiferenca e presidentes pas një premtimi kaq ambicioz. Ajo në vend që të merret më atë për qka është deklaruar, për luftimin e korrupsionit, po e bënë të kundertën e saj, duke ju mbajtur leksion deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës për demokraci e respektim të ligjit, për normat demokratike që duhet të respektojnë qytetarët e këtij vendi edhe atëherë kur ju duhet të protestojnë për të drejtat e tyre apo për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Zonja presidente ndoshta ka harruar (me qëllim), se ky popull edhe pse i vuajtur e i pervëluar nga shumë të keqija, ka pervojë e traditë demokratike mbi 25 vjeqare, se proceset demokratike në këtë vend nuk kan filluar më 17 shkurt 2008, por më heret në fillim të viteve të 90-ta, ishte Levizja paqësore, ajo që i hapi proceset demokratike jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin përëndimor, më shkëputjen përfundimtare nga totalitarizmi, nga sistemi sllavo-komunist.
Pavarësisht faktit se presidentja Jahjaga nuk është produkt i një procesi të rregullt demokratik (i votës së lirë qytetare, megjithatë e ka per obligim kushtetues të reagoj kur i cenohet integriteti teritorial, politik dhe juridik i shtetit të saj, të merrë vendime në përputhje me kompetencat kushtetuese që ka, e jo të sillet si një qytetare e zakont, si një vëzhguese e asaj që po ndodhë në këtë vend.
Përveq obligimit kushtetues, duhet të jetë në radhë të parë obligimi moral i presidentës, për mbajtjën e premtimit të saj, qoftë në luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, ashtu edhe në respektimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë nga drejtuesit e lartë shtetëror,…për të dëshmuar para popullit të Kosovës, se edhe paradokset nganjëhere sjellin diqka të mirë në këtë vend.
Përpos Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit të presidentes Jahjaga, në Kosovë prej vitesh veprojnë edhe Agjensioni Kundër Korrupsion dhe Task forca Kundër Korrupsionit, të cilat më tepër u ngjajnë “OJQ”-ve të pafuqishme, që merren vetëm me përshkrimin e rasteve në mënyrë të përgjithësuar. Si të tilla, më tepër janë duke e ndihmuar korrupsionin dhe krimin e organizuar se sa që janë duke e luftuar atë.
Sikur është bërë retorikë e Agjensioneve (OJQ-ve) kundër korrupsionit, të flasin vetëm me numra, por asnjëherë me emra, qoftë edhe për rastet e (mos) deklarimit të pasurisë, e të mos flasim për raste korruptive, ku gjithmonë e kanë zakon të thonë; “ka korrupsion në institucionet e larta shtetërore…”,…pa pasur guximin asnjëherë të permendin qoftë edhe një emër të vetëm nga drejtuesit shtetëror!

Kosovë: Opozita më 28 nëntor paralajmëron tubim antiqeveritar

Opozita e bashkuar njofton se në Ditën e flamurit, më 28 Nëntor, do të mbajë manifestimin kundër “marrëveshjes së dëmshme” dhe kundër qeverisë

PRISHTINË – Opozita e bashkuar njofton se në Ditën e flamurit shqiptar, më 28 Nëntor, do të mbajë manifestimin kundër “marrëveshjes së dëmshme” dhe kundër Qeverisë së Kosovës.

“Më shumë se dy muaj partitë opozitare, me vendosmëri të madhe në mënyrë aktive kundërshtuan planet e Qeverisë së Kosovës për të instaluar në vendin tonë ‘Republikën e Srpska’ dhe ti dhurojë Malit të Zi më shumë se 8.000 hektarë të territorit tonë. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi marrë opinionin e qytetarëve të këtyre marrëveshjeve. Në tërë Kosovën, kemi organizuar takime me qytetarë në të cilat u shpreh kundërshtimi absolut ndaj planeve të qeverisë. Ne organizuam një prej kërkesave më të mëdha në Kosovë duke mbledhur 205 mijë e 254 nënshkrime”, thuhet në njoftimin e opozitës së bashkuar kosovare.

Tre partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, theksuan se Qeveria e Kosovës në ballafaqimin me protestat e opozitës dhe mbi 205 mijë nënshkrimeve, është përgjigjur me cinizëm, ndjekje, arrestim, burgosje dhe dhunë policore

Sipas tyre, Qeveria e Kosovës i mbetet besnike Serbisë, edhe kur Serbia bëri gjithçka që përmes fushatës raciste të bllokojë pranimin e Kosovës në UNESCO, dhe insiston në zbatimin e demarkacionit, edhe pse nuk ka ekspertë në atë fushë i cili nuk ka treguar qartë se Kosova humb mbi 8.000 hektarë tokë të saj me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Opozita e bashkuar manifestimin e ka planifikuar në Ditën e flamurit shqiptar, më 28 Nëntor, në ora 14:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. aa

Isa Mustafa: Fushata agresive e Serbisë kundër Kosovës, pengesë për vazhdimin e dialogut

Mustafa: Kosova e gatshme për mbledhje të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Anadolu Agency ka folur për krizën politike në vend me theks të veçantë për marrëveshjen e kontestuar për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, për fushatën agresive të Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Kulturë dhe Shkencë (UNESCO)  si dhe reflektimin që mund ta ketë kjo në vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd. Ai është ndalur edhe në marrëdhëniet e Kosovës me  Maqedoninë, Turqinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Kryeministri Mustafa duke folur për fushatën agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat e ndryshme botërore, siç ndodhi së fundmi me UNESCO-në ku Kosova u krahasua me ISIS-in (sinonim për DAESH) tha se kjo padyshim do të ndikojë negativisht në vazhdimin e dialogut mes dy shteteve.

“Po gjithsesi se do të ndikojë përkundër dëshirës tonë të themi se dialogu do të vazhdojë sepse i njëjti nuk kontestohet dhe ne kemi interes që dialogu të vazhdojë. Kemi disa probleme që duhet ti zgjidhim përmes dialogut por Serbia po e keqpërdorë dialogun që të punojë kundër Kosovës duke tentuar ti bindë edhe disa shtete tjera  të votojnë kundër anëtarësimit tonë në UNESCO duke u thirrur se ne duhet  ti zgjidhim problemet me dialog”  tha Mustafa për të shtuar se për fat të keq Serbia ka arritur të mobilizojë një numër të vendeve me përkrahje të Rusisë edhe disa vendeve tjera kryesisht siç thoi Muastafa jodemokratike, në mënyrë që të pamundësojë të arrihen dy të tretat e votave të nevojshme.

Për sa i përket krizës politike në Kosovë,  më konkretisht për kërkesën e opozitës për tërheqje  të nënshkrimeve për marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësim ndërkombëtar,që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi,  Mustafa tha se arbitri kryesor në këtë çështje është gjykata Kushtetuese dhe se për të nuk mund të vendosin pushteti ose opozita.

“As njëra as tjetra nuk mund të tërhiqen sepse njëri është ligj i ratifikuar me dy të tretat e deputetëve dhe kjo është marrëveshje e akorduar me Serbinë me ndërmjetësimin e Brukselit e cila marrëveshje në fakt cakton vetëm parimet, por atë që ne kemi lënë si derë të hapur është që e njëjta të jepet për mendim në Gjykatën Kushtetuese e cila do tthotë fjalën e fundit  nëse marrëveshja është në harmoni me Kushtetutën apo jo” tha Mustafa

Sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për demarkacion klasik sepse  vetëm është bërë shënimi i kufirit i cili është administruar nga Kosova nga viti 1974 e këndej, dhe me pakon e Ahtisarit është paraparë që kufiri të jetë ai që është trashëguar më 31 Dhjetor të vitit 1988 dhe detyrë e komisionit ka qenë që vetëm të vërtetojë se cila është ajo sipërfaqe që kufizohet me Malin e Zi e cila është administruar nga Kosova atëherë.

“Por çdo qytetar që ka argumente ligjore mund ta kontestojë këtë dhe ne pastaj jemi të gatshëm që t’ia prezantojmë palës malazeze por edhe Kuvendit tonë sepse marrëveshja akoma nuk është ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës” tha Mustafa.

I pyetur nëse ka ndonjë plan për kthimin e opozitës në Kuvend nëse gjykata Kushtetuese vlerëson se marrëveshjet janë në harmoni me Kushtetutën, Mustafa tha se opozita duhet të kthehet në parlament sepse nuk ka asnjë të drejtë që në mënyrë të dhunshme të pengoj punën e Kuvendit dhe se askush nuk ka të drejtë të pengojë punën e shumicës që ka votën e qytetarëve vetëm nga shkaku se pakica dëshiron të abuzojë  dhe të pengojë Kuvendin.

“Nëse gjykata Kushtetuese konsideron se e njëjta është në harmoni me kushtetutën ne do të vazhdojmë më tutje dhe do të hapim mundësi që të hartohet statuti i Asociacionit i cili përsëri do ti dërgohet gjykatës kushtetuese. Nëse gjykata thotë se nuk është në harmoni ne nuk e zbatojmë atë” sqaroi Mustafa i cili përjashtoi mundësinë për zgjedhje të jashtëzakonshme sepse siç tha shumica ka mbi dy të tretat e Kuvendit dhe nuk kanë asnjë arsye për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kosova e gatshme për mbledhje të përbashkët me qeverinë e Maqedonisë

Në raport me Maqedoninë, Mustafa foli paër akuzat nga çarqe të caktuara të cilat pas ngjarjeve të Kumanovës e akuzuan Kosovën për “eksport të terrorizmit”

Lidhur me këtë, kryeministri i Kosovës tha se nuk  ka asnjë argument të eksportit të terrorizmit, sepse janë munduar maksimalisht që të bashkëpunojmë me të gjitha vendet fqinje për arsye se lufta kundër terrorizmit nuk është një luftë që mund ta bëjë vetëm një vend.

“ Neve na vjen keq për atë çfarë ka ndodh në Kumanovë, sepse janë humbur jetë njerëzish, janë shkatërruar pasuri dhe natyrisht se askush nuk do ta dëshironte atë. Mund të them se nuk ka ndikuar në raportet e Kosovës me Maqedoninë sepse ne kemi vazhduar të kemi marrëdhënie të mira me qeverinë e Maqeonisë, natyrisht duke respektuar në mënyrë reciproke njëra tjetrën” tha ai,  ndërkaq sa i përket shtetasve të arrestuar kosovar tha se  ambasada e Kosovës në Shkup ka qenë në vazhdimësi e kyçur prej ngjarjes e tutje.

“Ne nuk kemi bërë ndërhyrje tjera sepse do të ishte një ndërhyrje e jonë atje, por dëshirojmë që procesi (gjyçësor) të zhvillohet duke respektuar të gjitha kriteret e së drejtës ndërkombëtare dhe atë ne do ta kërkojmë në vazhdimësi” theksoi Mustafa.

Kryeministri Kosovar mes tjerash u ndal edhe tek mbledhja e përbashkët qeveritare Maqedoni-Kosovë, e cila një kohë të gjatë paralajmërohet.

“Nuk e kemi përcaktuar akoma në mënyrë të qartë se a do të bëhet takim i formateve të plotë të dy qeverive, apo të bëjmë takime të dy qeverive me ministritë të cilat do të kenë pastaj lidhje të marrëveshjeve. Ne kemi angazhuar njerëzit tanë që janë edhe pranë kabinetit tim edhe pranë ministrive që të harmonizojnë me ambasadën e Maqedonisë që është këtu edhe me qeverinë maqedonase”.

Turqia, investitor i madh në Kosovë

Në raport me Turqinë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se Turqia është një investitor goxha i madh në Kosovë.Ai marrëdhëniet mes dy shteteve i vlerësoi si tejet të mira.

“Turqia ka marrë pjesë edhe në privatizimin e pronave këtu si dhe në procedura të koncesionimit. Mban aeroportin dhe janë disa firma që bëjnë distribuimin e energjisë elektrike por ka pas prezencë të madhe edhe të industrisë ndërtimore të Turqisë në vendin tonë. Ne jemi të interesuar që këto të zhvillohen” thotë Mustafa ndërkohë që përmend bashkëpunimin kulturor mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Turqisë nga shkaku i prezencës së etnitetit turk në Kosovë ndërsa nuk ka munguar as bashkëpunimi ndërkomunal thotë ai që ka rezultuar me binjakëzime të komunave.

Etniteti Serb në BeH pengesë për heqjen e vizave ndaj Kosovës

Në intervistë për Anadolu Agency, kryeministri Mustafa potencoi edhe çyshtjen e vizave për shtetasit e Kosovës për hyrje në teritorin e Bosnje e Hercegovinës. Ai u shreh pesimist se kjo çyshtje mund të zgjidhet së shpejti.

“Do të ishte shumë normale që të mos ishte kështu dhe të ketë ndryshime por për fat të keq nuk shoh ndonjë mundësi që të ndodhin ndryshimet e shpejta sepse ndikimi i Serbisë përmes republikës Serbe edhe kanaleve të tjera është shumë i madh”.

Mustafa u shpreh se kosovarët dhe boshnjakët gjithmonë kanë pasur relacione të mira dhe është totalisht e pakuptimtë që Kosova të zbatojë regjim të vizave dhe kështu  të pengohet bashkëpunimi ekonomik, kulturorë dhe lëvizja e njerëzve.

Ai pret që qeveria e Bosnjës e Hercegovinës të korrigjojë marrëdhëniet në këtë drejtim.

Serbi – Nisin sot gërmimet në një varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë

BEOGRAD – Sot pritet të fillojnë gërmimet në Jalovishte të Serbisë, në një lokacion ku dyshohet se gjendet një varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë, të cilët forcat serbe i bartën në Serbi.

Në këtë lokacion ku pritet të kryhen punimet vlerësuese dyshohet për 200 trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

Siç është njoftuar opinioni, aty filluan gërmimet vetëm nga pala serbe, ndërsa pas reagimit të palës kosovare u vendos që edhe ajo të jetë prezent nga e hëna.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaLive, kryetari i Komisionit qeveritar për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj. “Nga dita e hënë të jemi atje dhe do të përcaktojmë edhe ekipet me pjesëmarrësit tonë”, ka thënë shkurt Gjetaj.

Vendimi që të marrë pjesë në gërmime edhe pala kosovare është marrë të premten në takimin që ka zhvilluar Komisioni qeveritar për persona të pagjetur me delegacionin e Serbisë ku të dy grupet punuese me ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kanë biseduar për hapat e mëtejshëm sa i përket gërmimeve në Serbi.

Pala serbe kishte paralajmëruar se do në nisë gërmimet në lokacionin e quajtur Jalovishte në Serbi pa pa prezencën e palës kosovare me arsyetimin se nuk është më i ndjeri akademiku Pajazit Nushi, i cili ka qenë pjesë e Grupit punues për persona të pagjetur.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i palës kosovare duke thënë se çdo gërmim vlerësues pa palën kosovare për ta është i papranueshëm.

Për këtë shqetësim e kishin ngritur zërin edhe familjarët e të zhdukurve duke konsideruar se Komisioni qeveritar për të pagjeturit duhet të bëjë përpjekje dhe të insistojë që me çdo kusht të jetë aty. Sipas të dhënave që ka KosovaLive ende figurojnë të zhdukur rreth 1.600 persona fati i të cilëve nuk është zbardhur edhe 16 vite pas luftës.

Ditë zie në Kosovë – në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris

Në Kosovë është sot ditë zie, në nderim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris.

Me vendimin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, flamujt janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës, brenda dhe jashtë vendit.

Nga sulmet e 13 nëntorit në Paris kanë humbur jetën 129 persona dhe janë plagosur mbi 350 të tjerë.

Përgjegjësinë për sulmet e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Autoritetet më të larta politike dhe publike në Kosovë i kanë dënuar ashpër sulmet dhe kanë shprehur solidaritet me popullin francez.

Ambasada e Kosovës në Francë mohon lajmin për shqiptarë të plagosur

Burime të KosovaPress-it në misionin diplomatik në Francë, thonë se deri tash atyre nuk iu është konfirmuar për ndonjë shqiptar të plagosur.

Ky burim ka mohuar lajmin që dy shqiptarë janë të plagosur në ngjarjen tragjike që ndodhi në Paris.

Po ashtu, sipas këtij burimi në Paris edhe në këto momente është gjendje e shtetrrethimit. Në qytet mund të dilet vetëm nëse ka urgjenca.

Kosova – Rreth 450 milionë euro humbje nga ekonomia e paligjshme

Ekonomia e paligjshme në Kosovë, edhe nga zyrtarët qeveritarë vlerësohet të jetë në nivel të lartë, por thuhet se kanë filluar të ndërmarrin veprime konkrete për të zbutur këtë dukuri negative, e cila rrjedhimisht po dëmton ekonominë në vend.

Në vitin 2014, institucionet ndërkombëtare financiare dhe vetë Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës, kishin vlerësuar se ekonomia joligjore në Kosovë është 34.4 për qind, që përkthyer në shifra, 450 milionë euro në vit janë taksa të pambledhura për buxhetin e Kosovës.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç buxhetit të Kosovës, nga ekonomia e paligjshme po dëmtohen edhe bizneset.

Ndikimi negativ i ekonomisë së paligjshme nuk është vetëm në mbushjen e arkës së shtetit, për arsye se po mungojnë 450 milionë euro, por edhe në anën tjetër, se krijohet një konkurrencë jo e barabartë në treg. Për arsye se disa biznese paguajnë taksa e disa nuk paguajnë, në këtë mënyrë është krijuar një pozitë e pafavorshme në treg për prodhuesit dhe shërbyesit”, thotë Gashi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se ekonomia e paligjshme ka qenë shqetësim që nga dita e parë kur kanë filluar punën dhe se kanë ndërmarrë veprime konkrete për të luftuar këtë dukuri.

“Disa veprime i kemi ndërmarrë, në muajt e parë e parë të qeverisjes kemi ndërruar udhëzimin administrativ për licencat e kompanive që furnizojnë arka fiskale, për të siguruara që arkat fiskale kushtojnë më lirë. Kemi aplikuar një formë të nxitjes së qytetarëve për të blerë vetëm nga kompanitë që janë formale, pra që kanë arka fiskale, duke i nxitur qytetarët të marrin kuponë fiskal , dhe kjo ka dhënë efektet e veta”, sqaron Hoti.

Hoti tregon se gjatë këtij viti ka pasur rritje të të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës, gjë që, sipas tij , tregon se ekonomia e paligjshme ka shënuar rënie.

Ai shpjegon se përfitime nga subvencionet që jep Qeveria e Kosovës për bizneset, do të mund të kenë vetëm bizneset që kanë historik të mirë të raportimit financiar, pra bizneset formale.

“Ekonomia jo formale është e lartë. Atë që po mundohemi të bëjmë tani është të krijojmë nxitje të ndryshme që bizneset ta gjejnë më mirë që të operojnë në sektorin formal, pra mos t’i përdorim shumë ndëshkimet si formë e formalizmit e bizneseve, por nxitjet që ata ta gjejnë më mirë veten në sektorin formal”.

“Disa prej këtyre nxitjeve tashmë janë në zhvillim e sipër, p.sh është fondi për garantimin e kredive që së shpejti do të kalojë ligji në Kuvend dhe do të fillojë së funksionuari, e prej atij fondi do të përftojmë bizneset formale që kanë historik të mirë të pasqyrave financiare”, shpjegon Hoti.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës qysh në vitin 2012 kishte vendosur në prioritetet e politikave të saj, parandalimin e ekonomisë joformale.

Ishte themeluar edhe Task-Forca e përbërë nga Policia, Doganat dhe Administrata Tatimore, që kishte për qëllim ashpërsimin e masave ndaj atyre që dëmtojnë shtetin, përmes fshehjes së tatimeve dhe evazionit fiskal.


Luljeta Krasniqi – Veseli

[email protected]

Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Rasti Bllaca: Policia e Kosovës arreston Shpresim Ukën

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot para dite njësitet speciale të forcave të rendit kanë kryer një operacion në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, me ç’rast ka arrestuar një person, i cili ka qënë për një kohë në kërkim.

Autoritetet e rendit kanë konfirmuar se bëhet fjalë për Shpresim Ukën.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha se i arrestuari “ka qenë një person në kërkim nga ana e policisë dhe i njëjti është arrestuar për të vazhduar me procedurat e tjera ligjore”.

Uka është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë në rastin e njohur “Bllaca” dhe është dënuar me 15 vjet burgim në vitin 2012.

Emri i zotit Uka gjendet edhe në faqern e Interpolit, të personave në kërkim, për të vuajtur dënimin.

Shpresim Uka është përmendur fillimisht në një video-incizim të Nazim Bllacës, i cili në nëntor të vitit 2009, deklaroi publikisht se ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime dhe veprime kriminale në rreth 17 raste pas luftës në Kosovë.

Bllaca e pati identifikuar veten si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, ndërsa pati akuzuar për përfshirje në krime struktura të larta politike në vend.

Sindikatat e Pavarura: Kosova po i humb pronat në shtetet e rajonit

Kosova po i humb pronat e ndërmarrjeve që gjenden në territorin e ish-Jugosllavisë, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Sipas tyre, këto prona nuk po mbrohen nga autoritetet kompetente.

Hasan Abazi, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në një prononcim për Radion e Evropa e Lirë, thotë se edhe pse informacione zyrtare mungojnë për gjendjen e aseteve në shtetet e rajonit, informacionet tregojnë se disa nga pronat tashmë janë privatizuar, apo shfrytëzohen nga persona të shteteve tjera.

“Është rasti i pushimores në Mal të Zi, që në kontestin gjyqësor ajo tashmë ka shkuar [është humbur]. Është momenti i fundit që qeveria, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit, përgjegjëse për këto prona, që të mirat materiale të atyre pronave t’i sjellin në Kosovë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së punëtorëve dhe qytetarëve të Kosovës”, tha Abazi.

Në shtetet e ish-Jugosllavisë, sipas dokumenteve zyrtare gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore. Autoritetet kompetente në Prishtinë disa herë kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e tyre.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një përgjigje përmes postës elektronike, kanë thënë se janë duke u angazhuar në këtë drejtim, përmes vizitave dhe bisedimeve direkte me shtetet fqinje.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, i vlerësojnë të mangëta informacionet rreth angazhimit të autoriteteve kompetente për kthimin e pronave.

Muhamet Sadiku, profesor në Fakultetin Ekonomik, dyshon se disa nga këto prona tashmë janë privatizuar.

“Unë mendoj se zgjidhja e problemit të pronave të Kosovës jashtë territorit dhe atyre të vendeve tjera në territorin e Kosovës, konkretisht sa i përket Serbisë, mund të ndodhë përmes procesit të sukcesionit”.

“Kurse me republikat tjera do të duhej të zgjidheshin me një mirëkuptim të përbashkët. Të gjendet një zgjidhje e cila do t’i mbronte interesat e të gjitha palëve në këto prona të përbashkëta”, shprehet Sadiku.

Vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi  42, 15 në Bosnjë e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Si alternativë të duhur për zgjidhjen e situatës me pronat jashtë Kosovës, Hasan Abazi nga BSPK, e vlerëson privatizimin e tyre.

Sipas tij, mosmenaxhimi i tyre nga autoritetet kompetente, thotë ai, krijon dyshime se persona apo grupe të caktuara të interesit nga Kosova dhe qytetararë të shteteve ku gjenden pronat, përfitojnë nga to.

“Ato prona për shumë vite Kosova nuk ka arritur t’i menaxhojë, pra ato nuk i shfrytëzojnë qytetarët e Kosovës, i shfrytëzon dikush tjetër”.

“Por, vetë fakti se heshtet kjo çështje dhe nuk privatizohen këto prona, lënë vend për dyshim se dikush përfiton nga këto. Ajo që dihet është se nuk përfiton populli dhe Republika e Kosovës”.

Ndryshe, në bazë të dokumenteve zyrtare, ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Gjakova dhe kombinati metalurgjik “Trepça”, kanë numrin më të madh të pronave në shtetet e ndryshme të rajonit.

Me hetimin e Fondit ‘Vendlindja Thërret’ dhe ‘Fondit të Qeverisë së Kosovës’ zbardhen vrasjet politike – Nga Saim Tahiraj

Raporti i progresit për korrupsionin në institucionët e Kosovës e në veqanti në gjygjësorin, nuk është një çështje e re që e ngriti  Bashkimi Evropian,por vazhdimësi e raporteve paraprake që e kanë kritikuar këtë fenomen dhe kanë kërkuar luftimin e tij.Të gjitha raportët paraprake të BE-së nga kjo klasë politike e zhytur deri në veshë në korrupsion dhe krime të natyrave të ndryshme, janë injoruar tërsisht dhe kanë vazhduar rrugëtimin e tyre kriminalë,madje me intenzitet të shtuar.Luftimi i korrupsionit në të gjitha institucionet e shtetit nuk duhet kërkuar të luftohet nga ata që janë ideatoret dhe themeluesit e tij.Të kërkosh ta luftojnë korrupsionin nga këta që nga varfnjakë u shëndrruan në milioner,e ndoshta edhe në miliarder, është absurditeti më i madh .Për luftimin e korrupsionit duhet të ndryshohet rrënjësisht çasja dhe veprimi ,si nga bashkësia ndërkombëtare e po ashtu edhe nga populli i Kosovës.Kjo klasë politike detyrimisht duhet të largohet nga pushteti sa më parë.Pjesa dermuese e administratës në të gjitha institucionet shteterore ,duhet pastruar nga ky rrjet kriminal që e ka grryer themelin e shtetit, dhe nese vazhdon kështu do e përmbyes përfundimisht.Për të pasur sukses luftimi i këtij fenomeni shoqëror me përmasa kaq shkatrruese për shoqerinë  kosovare,medoemos duhet marr  me analizën e tij seroîoze. E para, zanafillën e këtij fenomeni.E dyta,koka e këtij fenomeni.E treta, rrjeti i këti fenomeni. Zanafilla e këtij fanomeni qendron të themelimi i dy fondeve,Fondi Vendlindja Thërret dhe Fondi i Qeverisë së Kosovës ,i njohur si fondi i Trepërqindëshit.Të dyja këto fonde duhet në mënyrë të detajuar të hetohen dhe të dilet me rezultatet së sa para ishin tubuar dhe si u shpënzuan ato para.Edyta,koka kryesore  e këtyre dy fondeve të hetohen.Të hetohet pasuria e tyre dhe prejardhja e asaj pasurie.E treta,të hetohet i tërë rrjeti i këtyre dy fondeve.Pas këtij hetimi jam i bindur se rezultati do na dërgoj në vrasjet politike që ndodhen gjatë luftës dhe pas saj.Në këtë pikë të hetimit mendoj se Fondi i Qeverisë -Bukoshi nuk mund të krahasohet me ate Vendlindja Thërret sepse ai ishte  deri diku më transparent,derisa fondi Vëndlindja Thërret ishte plotësisht fond i nëntokës dhe i kontrolluar njerëzit e nëntokës.Pa mvarësisht kësaj me urgjencë duhet të hetohen të dyja fondet.Jam i bindur se bazamenit mbi të cilën u krijua kjo kastë e ndyer politike e veshur me petkun kriminal janë pikërishtë këto dy fonde.Që nga koha e themelimit të këtyre dy fondeve e deri më sot kurrë nuk pati një transparencë rrethë menagjimit të tyre.Kurrë nuk pati një hetim të tyre,por përkundrazi edhe pas lufte vepruan njejtë edhe me fondët e shtetit duke i menagjuar nëntoka.Kjo logjikë po vazhdon edhe sot,prandaj si rrezultat kemi milionerë të asaj nëntoke.Pjesë përbërse e këtij fenomeni shtetrrënues ,fatkeqësisht është edhe një pjesë e bashksisë nderkombëtare që ndodhet në Kosovë.Kjo nëntokë si duket ka pasur aftësi dhe mundësi finaciare ta korruptoj një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare.Dështimet e një pasnjëshme të bashkësisë ndërkombëtar në luftimin e korrupcionit dhe krimit  në Kosovë janë fakti më i mirë që e vërtetonë këtë simbiozë në mes të kastës së ndyer politike të Kosovës dhe një pjese të bashksisë ndërkombëtare.Deri më tani nuk kemi vërejtur as edhe më të voglin veprim serioz në luftimin e këtij fenomeni shtet rrënues.Kemi vërejtur vetëm themelim të shumë organizmave vendorë dhe ndërkombëtar të cilat kanë qenë më shumë si mbulojë e këtij fenomeni shtet shkatërrues, së  sa diçka serioze në këtë luftë , ndërsa para popullit  po paraqiten së gjoja po veprojmë diçka pozitive.Korrupsioni nuk luftohet me deklerata false,me raporte që vetëm konstatojnë gjendjën,më kriminelë që e themeluan ate.Korrupsioni luftohet duke e sulmmuar ate në kokë ,me organe serioze të përbëra nga individ të pastër kombëtarisht, moralisht dhe materjalisht. Me organe profesioniste .Nese më të vërtetë bashkësia ndërkombëtare dëshiron më e luftur korrupsionin, duhet të heq dorë nga përkrahja dhe bashkëpunimi me këta kriminelë që e mbollën dhe e kultivuan këtë fenomen shtet shkatërues, e jo të bisedojnë dhe të bashkëpunojnë me ta si të vetmit që mund të bisedohet për ardhmërinë e shtetit të Kosovës, sepse nga dosjet e tyre që kanë mund të shantazhohen dhe të janë shumë të lehtë për bisedime.

Ymer Shahini i kërkuar nga SHBA për ta dënuar 65 vjet burg – ai shëtit lirshëm në Prishtinë

Shtetasi i Kosovës dhe i Kanadasë, Ymer Shahini, është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI’ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor, në New York. Ata akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimit.

Disa nga të akuzuarit janë arrestuar tashmë, ndërsa në arrati gjendet kosovari Ymer Shahini, i cili po kërkohet nga FBI’ja.

Skema e këtij mashtrimi parashihte që fshehurazi të merreshin nën kontroll miliona aksione të kompanisë “Gerova Financial Group Ltd”, të cilat pastaj në mënyrë të fshehtë do të shiteshin.

Në plan ishte që gjysma e këtyre aksioneve të kaloheshin në emrin e Ymer Shahinit.

Vëllezërit Galanis, të cilët janë të akuzuarit e tjerë nga FBI’ja për mashtrim dhe përfitim të jashtëligjshëm, janë përkujdesur për hapjen e llogarisë së Shahinit: “Shahini Accounts” dhe kaluan aty aksionet e shitura fshehurazi, në mënyrë që në “Gerova” të mos vihej re se kush ishte pronari i vërtetë i tyre dhe Jason Galanis të vazhdonte ta mbante nën kontroll kompaninë “Gerova”.

Ymerit i ishte premtuar një kompenzim i mirë për të vazhduar këtë mashtrim.

Në këtë mënyrë Jason Galanis përfitoi përsëri miliona duke vazhduar ta kontrollonte tregun e shitjes së stoqeve të Gerova’s. Deri në fund të kësaj kurdisjeje ky grup përfitoi përmes mashtrimit 20 milionë dollarë.

Në anën tjetër, Ymer Shahini posedon biznes edhe në Kosovë. Ai është pronar i njërës nga kompanitë e licencuara nga ATK’ja për fiskalizim “Printec L.L.C”. Me këtë kompani, Shahini ka fiskalizuar një pjesë të bizneseve të Kosovës.

Përveç Shahinit, një kompani që merret me ndërmjetësim në afarizmin e tregjeve financiare, në shërbimet e ndërmjetësimit për letra me vlerë dhe kontrata të mallit, nxjerrje të naftës së papërpunuar, aktivitete mbështetëse për nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror, e ka të regjistruar në Kosovë bashkëpunëtori i Shahinit në mashtrimet në New York, Jason Galanis.

Kompania e Jason Galanis’it “Dorian & Pan Illyrian partnership L.L.C.” është regjistruar në Kosovë në vitin 2010.

Ndonëse me gjithë këto akuza, Shahini vazhdon të jetë i lirë për shkak të vetëm një shkronje, raporton në një shkrim të djeshëm e përditshmja Koha Ditore. “Në Kosovë ai është i regjistruar me emrin ‘Imer’ ndërsa në ShBA me ‘Ymer'”, shkruan Koha Ditore.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria e Manhatanit, thuhet, në mes të tjerash, se ai duhet të dënohet, nëse gjendet fajtor, me një dënim të përgjithshëm prej 65 vjet burg dhe 6 milionë dollarë.

Minatorët e Trepçës hyjnë në grevë

Minatorët e Trepçës kanë hyrë sot në grevë, pasi që janë të pakënaqur me trajtimin e tyre nga drejtuesit e kësaj ndërmarrje.

Veriu.info mëson se kërkesa e grevës së sotme ka të bëjë me mospagesën e kontributeve të punëtorëve në Trustin Pensional të Kosovës.

“Ndërrimi i parë jemi futur në grevë, pasi që nuk po paguhen kontributet pensionale. Nuk do ta ndërpresim grevën derisa të na paguhet djersa jonë”, thotë një minator në kushte anonimiteti për Veriu.info.

Telashet e sotme me minatorë i ka konfirmuar edhe drejtori i minierës së Stantërgut, Qazim Jashari, por ai ka thënë se përgjigje të saktë mund të jep pas gjysmë ore, kur t’i merr informacionet e nevojshme, mirëpo më nuk e ka hapur telefonin.

Lunacek: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet

Nënpresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka deklaruar sot në Prishtinë se masa e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht marrëveshjen mbi Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, duhet pranuar.

“Të presim çfarë vendimi do të marrë Kushtetuesja. E nëse vendimi i besohet Komisionit të Venedikut, edhe kjo është një ide e mirë“, ka thënë zonja Lunacek, duke shtuar se fillimisht duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, në rast se Gjykata kushtetuese vendos se përmbajtja e marrëveshjes nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, atëherë duhet bërë ndryshime.

“Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në atë mënyrë, atëherë duhet të ndryshohen ato pjesët e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Për mua personalisht, problematike është pjhesa e marrëveshjes në të cilën thuhet se vetëm serbët mund të emërohen në pozita të caktuara. Në një vend shumëkombësh, kjo nuk do të duhej të ndodhte“, ka thënë Lunacek, në një takim me gazetarët në Prishtinë.

Duke folur, ndërkaq, për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve – pas vendimit të UNESCO-s që të mos e pranojë Kosovën si anëtare – Lunacek ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

“Marrëveshja e parë në Bruksel parasheh që vendet [nënshkruese] të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në procesin e pjesëmarrjes në nisma rajonale. UNESCO nuk është organizatë rajonale, por bëhet fjalë për raporte të mira fqinjësore, që është edhe thelbi i dialogut. Për këtë arsye edhe po zhvillohet ai dialog, për fqinjësi të mirë. Ajo çfarë Serbia ka bërë me rastin e aplikimit të Kosovës në UNESCO dhe reagimi i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, pas votimit, nuk hyjnë në frymën e raporteve të mira fqinjësore“, ka thënë Lunacek.

Rrëmbehet e më pas lirohet vajza e deputetes kosovare

Vajza e deputetes së Kuvendit të Kosovës Emilja Rexhepi është rrëmbyer nga dy persona e më pas është liruar.

Rrëmbyesit kanë kërcënuar nënë e saj që të jetë kujdes me veprimet që bën.

21 vjeçarja Sabrina Rexhepi, vajza e deputetes Emilja Rexhepi, rreth orës 21 të ditës së martë  është rrëmbyer nga dy persona.

Ata e kanë futur vajzën në makinë dhe i kanë dërguar mesazh nënës së saj.

Ka qenë vetë deputetja Rexhepi e cila ka rrëfyer ngjarjen.


Send this to a friend