VOAL

VOAL

Isë e Hashim, reflektoni para orës 12.00, më pas akrepat e orës për ju numërohen mbrapsht! – Nga FLORIM ZEQA

Momenti i së vërtetës po vjen
Protesta e 9 janarit pritet të jetë më masive se herëve të tjera
Më e rëndësishme se çdo pozicion politik, se çdo pozitë shtetërore, është jeta e qytetarëve të vendit
Më duket se është e vështirë për të dhënë përgjigje të saktë në mënyrë hipotetike për atë se çfarë do të ndodhë në protestën e paralajmëruar nga opozita e bashkuar (VV, AAK, NISMA) të 9 janarit 2016. Megjithatë, disa gjëra mund të konstatohen qysh tani.
Protesta e 9 janarit pritet të jetë më masive se herëve të tjera, për shkak të evoluimit  të situatës pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi shkeljet e Kushtetutës në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit në hiç më pak se në 22 raste (nene dhe akte nënligjore).
Edhe përkundër vendimit të Kushtetueses, liderët shtetërorë (Thaçi e Mustafa) akoma po vazhdojnë me injorimin e një vendimi të tillë, për çka kanë irrituar në masë të madhe të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Jo arrestime të opozitës
Edhe përkundër faktit se Gjykata Kushtetuese nuk i obligon, mosreflektimi pozitiv i Thaçit e Mustafës, që i bie paraqitja e dorëheqjeve si akt moral ndaj shkeljeve të Kushtetutës së vendit, është një motiv shtesë për pjesëmarrje masive të qytetarëve të vendit në protestën e 9 janarit.
Edhe pse në secilin vend demokratik, thyerja e masës së arrestit shtëpiak është e papranueshme dhe e dënueshme njëkohësisht, pjesëmarrja e deputetëve të opozitës nën masën e arrestit shtëpiak në protestë, në asnjë rrethanë nuk do të duhej marrë si shkas nga pushtetarët për arrestimin e tyre gjatë protestimit. Janë masat juridike të mëpastajme që e rregullojnë një gjë tillë.
Skenari i mundshëm i pozitës, i pushtetit në këtë rast, për arrestimin e deputetëve nën masën e arrestit shtëpiak gjatë një proteste paqësore, do të ishte skenari më i keq dhe më fatal për vendin, ngase eskalimi i situatës kësaj radhe mund të prodhojë dhunë të paparashikuar dhe dëme enorme të pronës publike dhe shtetërore.
Thënë ndryshe, mbarëvajtja e protestës së paralajmëruar paqësore, edhe pse është detyrim i organizatorëve, në këtë rast i opozitës së bashkuar, në masë të madhe varet nga reagimi i pushtetarëve dhe reflektimi pozitiv i qeveritarëve.
Çfarë dua të them me këtë?
Është fakti se qeveritarët, në këtë rast dy drejtuesit e Qeverisë, Thaçi e Mustafa, si nënshkrues të marrëveshjeve të dëmshme për vendin (19 prill 2013 dhe 25 gusht 2015), pas evidentimit të shkeljeve në 22 raste të Kushtetutës, duhet të tregojnë nivel të lartë të përgjegjësisë shtetërore, morale dhe juridike.
Liderët duhet të heqin dorë nga kryeneçësia e tyre
Tërheqja e tyre nga pozitat shtetërore dhe tërheqja formale e nënshkrimeve nga marrëveshjet fatkeqe të Brukselit, së largu deri në orën 12.00 të 9 janarit 2016, jo vetëm që do ta parandalonte protestën, por do të ishte vendimi më i mençur, më i arsyeshëm për shpëtimin e vendit nga trazirat dhe situata anarkike e bllokadës në institucionin më të lartë në vend-Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Në të kundërtën, kryeneçësia e drejtuesve qeveritarë do të përfundojë me një çmim tepër të lartë për vendin, pasojat e të cilit në radhë të parë do t’i vuajnë qytetarët e varfër të vendit tonë, ngase edhe për një kohë të gjatë do të mbesin të izoluar dhe të pashpresë në vendin e tyre.
Përfundimisht, dëshiroj të konstatoj se më e rëndësishme se çdo pozicion politik, se çdo pozitë shtetërore, është jeta e qytetarëve të vendit. Andaj, këtë fakt duhet ta kenë parasysh të gjithë faktorët politikë në vend, pushtet dhe opozitë.
Prandaj, Isë dhe Hashim, reflektoni para orës 12.00 të 9 janarit 2016,më pas akrepat e orës, për ju, mund të numërohen mbrapsht!

Kosovë: Ashpërsohet fjalori politik qeveri – opozitë

Pamje nga protesta e opozitës në Kosovë, më 28.11.2015

Tri partitë opozitare në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe shkarkimin e qeverisë që ai drejton. Për këtë qëllim, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma kanë paralajmëruar organizimin e protestave, nisur nga ajo që është thirrur për të shtunën, më 9 janar, në Prishtinë.

Sipas opozitës, aktgjykimi i shpallur i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, ku mes tjerash thuhet se disa parime të saj nuk janë në harmoni me Kushtetutën, është një arsye e mjaftueshme që kjo qeveri të jap dorëheqje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë dhe dy figurave kryesore të koalicionit qeverisës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

“Thaçi dhe Mustafa do të detyrohen të japin dorëheqje nëse këtë ata nuk e bëjnë vet. Kjo do të bëhet me protesta dhe demonstrata gjithë-popullore derisa ata të obligohen që ta bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Ymeri.

Krahas kundërshtimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe, opozita vazhdon të kërkojë edhe anulimin e marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se shkelja e kushtetutës dhe marrëveshjet, siç i quan ai të dëmshme, janë arsye të mjaftueshme që të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

“Të protestohet dhe kërkohet llogaridhënie prej atyre që kanë shkelur kushtetutën. Të kërkohet dorëheqja e atyre që shkelën Kushtetutën”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkohë, kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj ka thënë se opozita po angazhohet që përmes largimit të kësaj qeverie ta pengojë krijimin e një precedenti, sipas të cilit, edhe nëse e shkel kushtetutën mund të qeverisësh me vendin.

“Nëse ata nuk janë të gatshëm si qeveri të japin llogari për shkeljen e kushtetutës dhe refuzojnë ta bëjnë këtë gjë, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë të na qeverisin shkelësit e kushtetutës”, ka theksuar Limaj.

Pas paralajmërimeve të opozitës për protesta me kërkesën për rrëzimin e qeverisë, kanë reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi.

Komentet për zhvillimet e fundit ata i bënë gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt në orët e pasdites së ditës së premte.

Kryeministri Mustafa tha se nuk sheh arsye që opozita të protestojë. Por, edhe nëse protestohet, ai ka ftuar opozitarët që të përmbahen nga aktet e dhunshme.

“Zgjidhjet t`i bëjmë brenda institucioneve përmes dialogut politik”, ka thënë Mustafa, duke iu referuar kërkesave të opozitës. Njëherësh ai ka bërë me dije se organet e rendit do të kryejnë punën e tyre.

Ndërkaq zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova është në pritje të rekomandimit të Brukselit për liberalizimin e vizave, si dhe po mundohet që ta formojë ushtrinë e saj, në kohën kur po ballafaqohet me thirrjet e opozitës për protesta të dhunshme.

“Kjo po na pengon për këto gjëra. Se kush e udhëheqë Kosovën, vendosin qytetarët ,e jo tre, katër individë apo tre, katër liderë”, ka theksuar Thaçi. Sipas tij, qëllimi kryesor i opozitës mbetet marrja e pushtetit me dhunë.

“Opozita po e rrezikon krejt procesin e shtetit, por ne besojmë në qytetarët tanë. Zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018 dhe pikë”, ka theksuar Thaçi.

Ndërkaq, nga aspekti i sigurisë, praktikat e deritashme kanë dëshmuar që protestat e opozitës në disa raste kanë përfunduar me dhunë dhe përplasje me policinë e Kosovës.

Sipas një komunikate të lëshuar nga policia thuhet se organet e rendit i kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke rritur edhe masat e sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike para, gjatë dhe pas protestës.

Prishtinë: Opozita proteston nesër kundër qeverisë

Partitë opozitare në Kosovë do të protestojnë nesër kundër Qeverisë.

Me anë të protestës, opozita ka thënë se do të kërkohet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk kanë qenë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.

Në prag të protestës, opozita ka mbajtur takime me qytetarë të qyteteve të ndryshme, si dhe ka postuar disa klipe në mediat sociale, duke numëruar, siç thuhet, arsyet se përse Qeveria aktuale e Kosovës duhet të japë dorëheqje.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar opozitën për dialog.

Opozita këmbëngul se Mustafa duhet të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja për asociacionin, si dhe nga ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, marrëveshja e parë ndan Kosovën, ndërsa e dyta i jep Malit të Zi territor të Kosovës.

Ramush Haradinaj: Hashim Thaçi nuk bën për president

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk e përfaqëson unitetin e popullit, prandaj nuk duhet të zgjidhet president.

Haradinaj në intervistë për “Zëri” tha se protesta e së shtunës do të jetë masive dhe se opozita nuk do të ndalet deri në dorëheqjen ose rrëzimin e Qeverisë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është njeriu i duhur për president të vendit pasi, sipas tij, Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit të Kosovës.

Këtë deklaratë Haradinaj e ka dhënë një intervistë për “Zërin”, ku ka folur edhe për protestën e së shtunës dhe për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj ka thënë se kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe dhe kundër asaj për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi tashmë nuk janë vetëm tri subjektet opozitare dhe përkrahësit e tyre, por janë edhe shumë qytetarë të tjerë.

Lideri i AAK-së po ashtu ka thënë se zgjedhjet nuk janë qëllimi i parë i opozitës, pasi Haradinaj thekson se opozitarët kanë kërkuar anulimin e marrëveshjeve, por pasi Qeveria nuk ka pranuar tani “kjo Qeveri duhet të japë llogari për marrëveshjet e dëmshme që i ka nënshkruar”.

E në rast se shkohet në zgjedhje, sipas Haradinajt, ka mundësi që opozita të garojë me një listë të përbashkët

Kushtetuta u shkel në 23 nene nga secili prej 7 kapitujve të Zajednicës – Nga ALBIN KURTI*

“Të nderuar të pranishëm,

Prokurorja në aktakuzën e saj thotë se ne deputetët nuk paskemi pasur autorizim për ta përdorur gazin lotsjellës. Mirëpo, as kryeministri i Kosovës nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi për të nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht ‘Zajednicën’ e Serbisë. Në anën tjetër, kur policia e përdor gazin lotsjellës e bën këtë duke besuar që dëmi që e shkakton me gazin lotsjellës është shumë më i vogël sesa dëmi që e parandalon e të cilin e shkaktojnë protestuesit. Kjo shpeshherë nuk është e vërtetë për policinë, por, se ne kishim të drejtë, e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese së fundmi. Kalkulimi ynë ishte i saktë: dëmet e gazit lotsjellës janë shumë më të vogla sesa shkelja e Kushtetutës së Kosovës në 23 nene të saj nga secili prej 7 kapitujve të ‘Zajednicës’.

Më tutje, pse do të duhej që dikush të jetë i autorizuar për diçka, e sidomos për përdorim të armës? Autorizimi nënkupton që një personi të caktuar i është besuar kalkulimi racional i krahasimit të dy apo më shumë dëmeve. Ne si deputetë të Kuvendit të Republikës – pra, Kuvendi është i Republikës, nuk është Republika e Kuvendit apo e deputetëve dhe aq më pak e Qeverisë apo e ministrave – kemi qenë të autorizuar ta mbrojmë republikën dhe kushtetutën, dëmtimi i të cilave përmes ‘Zajednicës’ është shumë më i gjerë e më i thellë sesa ai i gazit lotsjellës. Në sallën plenare me tavan të lartë gati 10 metra, gazi lotsjellës davaritej për më pak 30 minuta. ‘Zajednica’ nuk do të na hiqej as për 30 vjet – le të mos harrojmë që Republika Serbe në Bosnje tashmë i kaloi 20 vjet dhe është më e fuqishme se asnjëherë më parë.

Të nderuar të pranishëm,

Duhet ta bëj një sqarim këtu: unë sigurisht se nuk jam i kënaqur me Kushtetutën aktuale të Kosovës, por unë sa herë të jetë e nevojshme i bëj rezistencë atyre që duan ta ndryshojnë për të keq këtë Kushtetutë, ndërkohë që vazhdimisht angazhohem që ta ndryshoj për të mirë. Ngjashëm sikurse para 26 vjetëve kur shumica e atyre që e mbronin autonominë e Kosovës nuk ishin të kënaqur me atë autonomi dhe dëshironin republikë e pavarësi e bashkim kombëtar, por ja që e mbronin atë autonomi sepse edhe ajo po suprimohej.

Le t’i kthehemi sërish aktakuzës kundër nesh. Prokurorja vetëm në kualifikimin e veprës penale e përmend ‘armën’, mirëpo aspak në arsyetim nuk e provon që bombola e gazit lotsjellës është ‘armë’. Arma përmban elementet përbërëse dhe ka mekanizmin e saj. Këto nuk i gjejmë te bombola e gazit lotsjellës. Mandej, çdo armë e ka municionin e vet: nëse bombola e gazit lotsjellës na qenka armë atëherë cili është municioni i asaj arme? E, me gjasë, gazi lotsjellës nuk është as municion tamam, sepse edhe municioni përbëhet prej disa pjesëve si kapsula, baroti, predha etj. Mirëpo, prokurores nuk i interesojnë këto hollësi dhe ajo fare nuk merr mundin të arsyetojë. Për mua kjo është dëshmi e tendencës persekutuese me çdo çmim e pa asnjë standard.

Nëse mendoni që dikush duhet të akuzohet për përdorim të armëve pa e pasur provën materiale të saj për të vërtetuar se me të vërtetë mjeti në fjalë është armë dhe se qëllimi kryesor i saj është kryerja e sulmit fizik dhe lëndimit trupor në kuptim të Kodit Penal, atëherë kjo prokurori publike, nuk është as prokurori dhe as publike, por polici private e kundërshtarëve tanë politikë.

Arma e gazit lotsjellës është ajo me tytë dhe presion e me të cilën policia hedh me qindra bombola me gaz lotsjellës në protestat tona, me ç’rast disa që nuk shpërthejnë na mbeten neve ‘dhuratë’ për t’i përdorur.

Në seancat e Kuvendit unë kisha armë vetëm në kuptimin që vetë si deputet isha armë, pra disponoja vetveten si armë kundër ‘Zajednicës’ në protestën tonë në Kuvend si aksion politik e publik. Pra, unë kisha armë vetëm sepse unë isha aty, duke përmbushur detyrën time sipas nenit 74 (Ushtrimi i Funksionit) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë me sa vijon: “Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.”

Në pretendimet kundër nesh ka edhe shpifje. Psh. mua askush asnjëherë nuk ma ka dhënë bombolën e gazit lotsjellës në Kuvend që ta ndez në sallën e Kuvendit. Atë e kam marrur unë vetë në protesta kur na i gjuante policia pa kursim. Në seancën e 8 tetorit 2015, deputetes Albulena Haxhiu i kam kërkuar që të më sjellë vezë të prishura dhe ajo këtë e ka bërë. Gazi lotsjellës ishte mjeti i fundit pas pipave, ujit dhe vezëve, të cilat nuk kryen punë. Gazi lotsjellës nuk është armë sepse nuk është menduar që të lëndojë dikë. Gazi lotsjellës ishte kundër atyre që po lëndonin Republikën dhe popullin e saj dhe vetë ai nuk lëndonte askë. Gazi lotsjellës synonte largimin e personave që duan të lëndojnë. Qeveria ka qenë e armatosur, sepse ‘Zajednica’ ishte arma e tyre kundër Republikës dhe Kushtetutës siç e vërtetoi edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq gazi ynë lotsjellës synonte t’i largonte nga salla e Kuvendit këta njerëz të armatosur e të rebeluar kundër Republikës.

Për më keq se kaq, prokurorja askund nuk jep shpjegim pse është përdorur gazi lotsjellës. Është e qartë se qëllim s’mund të ketë qenë lëndimi i ndokujt sepse unë dhe të gjithë ne vazhdonim të qëndronim në sallë pa maska edhe shumë kohë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Vepra për të cilën ne akuzohemi nuk ka mundur të kryhet padashje, prandaj për ta gjykuar e dënuar atë duhet të ekzistojnë mens rea (qëllimi kriminal) dhe actus reus (veprimi kriminal). Në aktakuzë nuk gjenden këto, posaçërisht e para, pra mungon mens rea për shkak se qëllimi ishte politik dhe jo kriminal. Qëllimi ynë ishte pamundësimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ së Serbisë. Për një shkelje të rëndë siç është ajo e Kushtetutës nëpërmjet ‘Zajednicës’ ne kemi përdorur forcë edhe më pak se proporcionale. Aksioni ynë politik ishte mbrojtje e personave të tretë, përkatësisht mbrojtje e shtetit republikan, e rendit kushtetues dhe e qytetarëve të Kosovës.

Sa i përket pikës së dytë të aktakuzës, pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, duhet të them që pikërisht ne si deputetë të opozitës ishim persona zyrtar duke respektuar detyrën tonë zyrtare. Qeveria dhe deputetët e pozitës ishin po ata njerëz të përveçëm sikurse para 25 gushtit të ‘Zajednicës’ mirëpo ata s’ishin më personat e njëjtë zyrtarë dhe as nuk po e kryenin detyrën e njëjtë zyrtare. Kur ndryshon Republika sepse i shtohet ‘Zajednica’ nuk mbetet i njëjtë as Kuvendi si punëdhënës i këtyre personave zyrtar.

‘Zajednica’ është një gjë e re para sistemit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve të tij. ‘Zajednica’ nuk ishte asnjëherë temë në fushatat zgjedhore dhe as çështje debati në Kuvend. Vetëm kur e pamë në televizion më 25 gusht 2015 se ajo është nënshkruar tashmë në Bruksel nga Mustafa me Vuçiqin. Pra, e kemi një njeri, qytetar republike që quhet Isa Mustafa, e i cili e vuri nënshkrimin për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër, ne i kemi mbi 205.000 nënshkrime të qytetarëve kundër asaj ‘Zajednice’ dhe kundër atij nënshkrimi të vetëm.

Ne nuk mund të lejojmë që një nënshkrim t’i mposht 205.000 nënshkrime. Aksioni ynë ishte politik dhe publik. Kurrfarë procesi demokratik nuk i parapriu nënshkrimit në Bruksel – madje, më 25 gusht të vitit të kaluar Kuvendi ishte në pushim. Kur ne u kthyem në Kuvend, ne ishim të njëtit njerëz, mirëpo nuk ishim të njëjtit deputetë, sepse mandati ynë si deputetë ishte tjetërsuar: ne nuk ishim më deputetë të Republikës, por deputetë të asaj që mbetet nga Republika atëherë kur Republikës i shtohet ‘Zajednica’.

Përveç peticionit, dhjetëra mijëra qytetarë kanë marrur pjesë në Prishtinë dhe shumë komuna tjera të Kosovës, në manifestime e protesta të ndryshme. Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë tubim me qytetarë nga qeveria për ‘Zajednicën’. Ama bash asnjë. Qeveria nuk është përpjekur që të arsyetojë ose justifikojë me qytetarët e për qytetarët nënshkrimin e saj.

Ne kemi qenë në Kuvend si persona zyrtar në detyrën tonë zyrtare, në kulmin e zbatimit të nenit 74 të Kushtetutës. Pa na e hequr Kuvendi me shumicë votash imunitetin, policia nuk është dashur të na hetojë e arrestojë, prokuroria të na akuzojë dhe gjykata të na gjykojë. Por, jo vetëm kaq. Deri te kjo ditë e shqyrtimit kryesor, procesi ka kaluar nëpër shkelje të shumta të të drejtave të njeriut të deputetëve dhe aktivistëve opozitarë. Lehtësia me të cilët policia na ndjek dhe arreston e mandej na rrah fizikisht dhe gjykatat na i japin nga 30 ditë paraburgim është e frikshme.

Në rastin tim po i theksoj dy situata. Së pari, kidnapimin nga Policia e Kosovës natën e 12 tetorit 2015 për çfarë kam bërë Kallëzim Penal, mirëpo tash e gati tre muaj askush nga prokuroria nuk më ka kontaktuar. Së dyti, arrestimin nga forcat elitare anti-terror me 28 nëntor 2015, kur u thye selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në një operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë.

Ne kemi bërë 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës reagoi menjëherë se ajo i paska 166 policë të lënduar në protestat e muajve të fundit, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor. Po ashtu, edhe Amnesty International dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kanë reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje brutale.

Ne si deputetë nuk e kemi vënë në pikëpyetje ligjin si të tillë dhe as tërësinë e ligjeve në Republikën e Kosovës. Ne as që kemi menduar se cilat ligje po i shkelim me aksionin tonë politik sepse preokupimi ynë emergjent ka qenë Republika dhe Kushtetuta, demokracia dhe sovraniteti, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që përbëjnë themelin dhe burimin, thelbin dhe kuptimin e ligjeve, të korpusit të ligjeve, të secilit ligj, madje përfshirë këtu edhe vetë ligjet të cilat prokurorja thotë t’i kemi shkelur.

Organi i ndjekjes, Prokuroria, qysh në fillim të aktakuzës së saj tregon dhe vërteton faktin se ne veprimet i kemi ndërmarrë në cilësi të deputetëve. Pra, në cilësi zyrtare nën mandatin përfaqësues. Kjo do të thotë se ne po përndjekemi në cilësinë e deputetit! Si mund të quhet kjo ndryshe përveçse persekutim politik?! Se ky rast është politik e vërtetojnë edhe dëshmitarët e propozuar të prokurorisë, ku që të gjithë i përkasin pozitës, pra pushtetit.

Nuk e di nëse Prokurorja e ka lexuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të vitit 2015. Nëse Prokurorja e mban të njëjtën aktakuzë kundër nesh edhe pas dijenisë për këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me dashakeqësi të skajshme të prokurores ose me një botëkuptim autoritarist të saj. Për këtë të dytën do të flas më vonë gjatë këtij procesi”.

*************

*Në Kosovë u zhvillua më 6 janar seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Vetëvendosjes, të cilëve u është komunikuar masa e dënimit “arrest shtëpie”. Më sipër është fjala e Albin Kurtit përpara trupit gjykues.

A u “Qitën kokrra thive” gjatë këtyre viteve qytetarët e Kosovës ?! – Nga Skënder MULLIQI

Kur e kalojmë një vështërsi  të madhe thëmi  mos u harroftë.  Por, sigurisht që shumica e qytetarëve të Kosovës vitin 2015 më me qefë do ta kishin harruar sa më parë. Përjetuan në lekurën e tyre jo vetëm gjendjen e keqe ekonomike por edhe torturën politike . Një nëne nuk i kishin pasë dalur djemtë e   mirë dhe secilën ditë  e kalonte dukë thënë “ Qitu kokrra thive’.  Kështu duket së edhe qytetarët e Kosovës u qitën “ kokrra thive’ së pak gjë realizuan ata për të cilët votuan  .Viti i kaluar ishte një vit i mbushur më plotë ngjarje aspak të mira për qytetarët, të cilët nuk e kan besuar një zhvillim aq të  pa parashikuar  të rrjedhave   politike  të cilat rezultuan me eskalim të krizës institucionale.Çdo krizë institucionale rezulton me kriza të përgjthshme shoqërore. Viti 2015 na kaloi si një ënderr e keqe , të cilën nuk dëshirojmë të mbajmë gjatë  në mend .Pas secilit vit që kalon njeriu dëshiron që viti vijues të jetë shumë më i mirë. Të jetë vit i cili ngjallë shpresat  së do ti realizohen dëshirat  .Kjo tek ne nuk po ndodhë që shumë vite .Secili vit që po vjen  po është ma masllahat së tjetri siq thotë një fjalë e popullit. Pushteti nuk i realizoj premtimet e dhëna, dhe aq me keq kur nuk ishim shumë në dijeni së çka po na përgatitet.Sa e sa marrvesheje i patem më Serbinë herë për çështje teknike  e më shumë për çështje politike , dhe krejt kjo kalonte pa një transparencë të nevojshme para  atyre që ua kishin dhën besimin. Të drejtën më thën  zgjedhjet sipërfaqësisht dukshen të mira, por  në mbrendi kishin plotë të meta .Keq është për një popull  kur në çdo fundvit e kaplon ndjenja e subjektiviteti së vetvetiu bëhët mirë , ose i hap  veshët së mos ndoshta pushtetarët atyre u sjellin ndonjë të mirë në vitin vijues.Këto janë  më shumë fontanë dëshirash .Kur ne bëhemi krejt  të varur prej strukturave politike , nuk ka mundësi që të  ndryshon  gjendja për të mirë, pa u bërë vet pjesë aktive e jetës politike. Secili që mori pushetin pas luftës u tregua më egoist dhe lakmitarë se tjetri për pushtet  dhe për përfitime përsonale.Kjo klasë politike në serviri  ëndrra  të mira e asgjë më shumë.  Në vend që të numërojmë për së mbari nga numri 1 deri në 10, po shkojmë duke numëruar nga numri  10 kah 1. Shumë të keqija  u banë grumbull  për vite të tëra , dhe krejt këto   dolën në sipërfaqe gjatë vitit 2015 të Qeverisë Mustafa-Thaqi.

Fillimisht vendi u fut në krizë intsitucionale për gjashtë muaj radhazi pas dështimit  të koalicionit të madh VLAN. Pas shpërbërjës së këtij koalicioni Mustafa  me klanin e tij për interesa përsonale hyri në gjirin e Thaçit , duke i dhënë  goditje  të rëndë  elektoratit rugovian . Gjatë gjithë fushatës  ai kishte premtuar dhe kishte dhënë dëklarata së kurrë me Qeverinë e keqe të Thaçit. Ngjarjet politike në vazhdim treguan së ky koalicion ishte një gabim trashanik . Çka nuk pamë dhe ndëgjuam gadi krejt vitin . Skenat e tilla në Parlament dhe në rrugë të Prishtinës nuk do ti dëshironte ti shikonte as një afrikanë , e lëre më ne që jemi  në zemer të Evropës.Pjesë e këtyre skenarëve të rrezikshme për Kosovën fatkëqësisht u bë edhe garnitura  e lartë e LDK-së .Këta  pushtetarë gjithë ditën mund të lavderohen së kan bërë punë të mira për vendin , por fshati që duket nuk don kallauz.Nuk po kalon kohë e gjatë dhe diçka po servohet për opinion , për ti qitë  hi syve sërish .Po punohet më logjikën e mbrapsht “sa më keqe situata politike aq me mirë për ne”.Tashmë këtyre qeveritarëve dhe këtyre  deputetëve  u ka dalë boja më gjithçka. Secilën ditë kur i shohim në ekranet tona televizive  duken të mjerë .  Qeveri dhe Parlament më të dobët nuk mund të gjeshë. Na bën qerpazën e Zotit para botës demokratike .Prandaj, çdo mbetje më e gjatë këtyre njerëzve në pushtetin e Kosovës , për aq  kohë do të vazhdon  edhe agonia  jonë  .Matematikat e filluara të PDK dhe LDK për president  të ardhshem ,është edhe një tregues më shumë së lufta për pushtet është ba e tmershme.E nuk po e dijnë së më shumë po ngjajnë  në  kufoma  politike…

Në Pejë grafite për Mustafën, Thaçin dhe Veselin

Një grafit i ri është shfaqur mbrëmë në Pejë me protagonistë Isa Mustafën, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ky grafit është parë mbrëmë në rrugën “Isa Dema” në qytetin e Pejës, pas atyre për presidenten Jahjaga dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli në Prishtinë. Në grafitin në Pejë, ku paraqiten Mustafa – Thaçi dhe Veseli, teksti shoqërues është “Inglourious Basterds”, titull ky i një filmi të realizuar në vitin 2009. Në këtë film luan aktori i famshëm Brad Pitt, i cili së bashku me një grup ushtarësh bëhen bashkë për të kryer krime ndaj nazistëve.

Pejë – Grafite për ​Mustafën, Thaçin dhe Veselin

Një grafit i ri është shfaqur mbrëmë në Pejë me protagonistë Isa Mustafën, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Ky grafit është parë mbrëmë në rrugën “Isa Dema” në qytetin e Pejës, pas atyre për presidenten Jahjaga dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli në Prishtinë. Në grafitin në Pejë, ku paraqiten Mustafa – Thaçi dhe Veseli, teksti shoqërues është “Inglourious Basterds”, titull ky i një filmi të realizuar në vitin 2009. Në këtë film luan aktori i famshëm Brad Pitt, i cili së bashku me një grup ushtarësh bëhen bashkë për të kryer krime ndaj nazistëve.

Selimi për Stupcat: UÇK-ja nuk rrezikohet nga satira, por nga Gjykata Speciale

Rexhep Selimi deputet i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ish-epror i lartë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, i pyetur rreth skeçit të grupit humoristik “Stupcat” ku me anë të personazheve të tyre portretizojnë disa luftëtarë si profiterë, ka shtuar se nuk ka rrezik nga satira.

“Nuk rrezikohet UÇK-ja nga satira, por diçka që është shumë më serioze se kaq, imazhi i saj është rrezikuar jo pak herë, e më së shumti me votimin e Gjykatës Speciale. Leni këtë punë mos u merrni me ‘’stupcat”, por e kanë rrezikuar ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale,” ka thënë Selimi.

Pse Policia e Kosovës fshehu vetëvrasjen e polices – motrës së një këngëtari të famshëm

Ka vrarë veten me plumb në kokë policja e Kosovës Drita Latifi

Kjo ka ndodhur një ditë më parë, por Polica e Kosovës megjithëse ka raportuar rastin, nuk ka treguar që ajo ishte pjesëtare e Policisë.

Tashmë e ndjera, për shumë kohë ka punuar në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, e në muajt e fundit punonte në Stacionin e Policisë, numër 3, në Kodrën e Trimave.

Ajo është motra e këngëtarit të njohur Mc Beka.

Ndërsa, policia zyrtarisht ka raportuar se në një shtëpi është gjetur pa shenja jete viktima femre K/Shqiptare.

“Vdekja është konstatuar nga ekipi mjekësor. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, thuhet në raportin e fundit të Policisë.

Pas lajmit të publikuar se Policia ka fshehur vetëvrasjen e një pjesëtareje të saj, ka ardhur edhe reagimi nga Policia e Kosovës.

Në sqarimit e Policisë, ku kjo vdekje cilësohet si “vdekje e dyshimtë”, thuhet se Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për hetimin e rastit, duke përfshirë edhe dërgimin e trupit të pajetë ne institutin e mjekësisë ligjore për autopsi, veprim ky i cili është bërë me vendim të prokurorit kompetent.
“Policia e Kosovës edhe ne ketë rast të zyrtares së PK-se sikurse edhe ne të gjitha rastet e natyrës së njëjtë, nuk e publikon identitetin e viktimës, pasi që duhet të respektohen procedurat ligjore ne të gjitha rastet njësoj pa dallime. Ndërsa sa i përket shkrimit tendencioz se Policia e Kosovës ka fshehur rastin, kjo nuk qëndron dhe nuk është e vërtetë, pasi që ky rast është publikuar për media sot (01.07.2016) rreth orës 11:15 min përmes raportit 24 orësh te PK-se, i cili publikohet ne baza ditore”, thuhet në reagimin e policisë.
Më herët u raportua se ka vrarë veten me plumb në kokë policja e Kosovës Drita Latifi dhe se Policia, megjithëse ka raportuar rastin, nuk ka treguar që ajo ishte pjesëtare e Policisë.

Cili do të jetë skeçi i radhës i ‘Stupcave’? – Nga FLORIM ZEQA

Po vjen momenti i së vërtetës në Kosovë
Më i dëmshëm për vendin është vazhdimi i qeverisjes së kësaj klase të korruptuar politike
Për opinionin publik, skeçi më i mirëpritur i radhës i STUPCAVE do të ishte për “institucionalistët”, që krijuan pasuri milionëshe, duke zhvatur pasurinë shtetërore për pasurim përmes tenderimit, korrupsionit dhe formave të tjera të paligjshme
E 2016-a hyri furishëm, ashtu siç e kemi pritur, me reflektimin e problemeve negative nga 2015-a. Nuk ishte i befasishëm skeçi humoristik i grupit të artistëve të mirënjohur STUPCAT, që riaktualizuan edhe një herë çështjen e komandantëve përfitues të luftës çlirimtare. E papritur dhe e pavend ishte paraqitja e grafiteve seksitive ndaj presidentes Jahjaga, e këtij produkti të politikanëve të papërgjegjshëm. Mbase të parës së shtetit më mirë do t’i shkonte ndonjë formë tjetër e grafitit, siç bie fjala; e servilitetit, injorancës dhe naivitetit politik.
Ashtu sikurse njëra (skeçi), edhe tjetra (grafitet) në vendet demokratike cilësohen si liri e shprehjes, ndërsa tek ne për fat të keq akoma po marrin karaktere tjera.
As skeçi humoristik, as grafitet, as çdo formë tjetër e shprehjes së pakënaqësisë qytetare nuk janë më të dëmshme për vendin sesa vazhdimi i qeverisjes së kësaj klase të korruptuar politike.
Krimi e korrupsioni janë shndërruar në kancer të shtetit të Kosovës
Ka ardhur koha, do të thosha është momenti i fundit, për të gjithë ata që kanë fakte, prova dhe argumente të pamohueshme, të dalin e t’i thonë hapur me emër dhe mbiemër para opinionit publik. Në radhë të parë duhet të flasin pjesëmarrësit e drejtpërdrejt të luftës çlirimtare, ish-komandantët dhe ushtarët, ata që lanë gjymtyrët e trupit të tyre për lirinë që e gëzojmë sot, dhe në asnjë rrethanë të mos heshtin, për të pranuar identifikimin e tyre me një grup të vogël keqpërdoruesish të luftës çlirimtare.
Sa herë që bëhet fjalë për dukuritë negative të shoqërisë, duhet pasur parasysh identifikimin e rasteve, identifikimin e individëve me emër dhe mbiemër, në të kundërtën flasim kot për luftimin e së keqes pa e luftuar të keqën individuale.
Sikurse terrorizmi që është bërë problem botëror, ashtu edhe për ne, krimi i organizuar dhe korrupsioni, më tepër se problem janë shndërruar në kancer të shtetit të Kosovës.
Çdo formë e përgjithësuar e kritikës dhe akuzave për krim të organizuar dhe korrupsion s’është gjë tjetër vetëm mbrojtje e të inkriminuarve në vepra të rënda penale. Shpërndarja e përgjegjësisë është fshehje fajësisë dhe mohim i së vërtetës.
“Çlirimtarë” dhe “instituacionalistë”, të bashkuar në sistemin korruptiv të qeverisjes
Krahasimi i të gjithë komandantëve dhe luftëtarëve të ndershëm me një grup tejet të vogël njerëzish të papërgjegjshëm që përfituan dhe shpërdoruan vlerat e luftës së lavdishme çlirimtare është i dëmshëm për vendin dhe denigrues për luftën çlirimtare.
Më të rrezikshëm se shpërdoruesit e luftës çlirimtare janë keqpërdoruesit e pushtetit të pasluftës, e në veçanti të pas 17 shkurtit 2008, që rrënuan vlerat tona kombëtare, rropën e çrropën pasurinë shoqërore, degraduan sistemin e drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, ata që në bisedimet me Serbinë në Bruksel cenuan sovranitetin dhe rendin kushtetues të vendit tonë.
Thënë ndryshe, “çlirimtarë” dhe “instituacionalistë”, të bashkuar në sistemin korruptiv të qeverisjes megalomane (21 ministri), me shpenzime enorme, janë shndërruar në dëmtuesit më të mëdhenj të buxhetit të shtetit pa i sjellë asnjë të mirë vendit të tyre.
Ashtu sikurse skeçi humoristik dhe grafitet për presidenten, mund të jenë një formë e planifikuar për zhvendosjen e vëmendjes së opinionit publik nga problemet madhore që ka vendi me keqqeverisjen aktuale.
Djajtë e veshur me lëkurë qengji
Andaj, për opinionin publik skeçi më i mirëpritur i radhës i STUPCAVE do të ishte për “institucionalistët”, që krijuan pasuri milionëshe duke zhvatur pasurinë shtetërore për pasurim përmes tenderimit, korrupsionit dhe formave të tjera të paligjshme.
Ngase për opinionin vendor është e bërë e vështirë të dallohen, cilët janë djaj e cilët engjëj, cilët janë milionerët më të mëdhenj në vend; “çlirimtarët” apo “institucionalistët”, qofshin ata nga ana e pushtetit aktual apo nga opozita, emrat e të cilëve janë të njohur mirë për opinionin publik!
Nëse me të vërtetë dëshirojmë të arrijmë rezultatet e dëshiruara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, atëherë, ashtu siç i përmendim çdo ditë me emër dhe mbiemër dhe me pietetin më të lartë dëshmorët dhe vlerat e kombit tonë, ngjashëm duhet t’i identifikojmë edhe antivlerat dhe keqpërdoruesit e pushtetit, qofshin ata të nivelit lokal apo qendror.
Promovimi i fundit nga ana e qeverisë, e “Prokurimit elektronik”, për luftimin e korrupsionit, tenderimit, auditimit dhe monitorimit të punës së administratës, për ruajtjen e parasë publike etj., është edhe një tentim i radhës për mashtrim e opinionit publik, për gjoja “përkushtimin” e qeveritarëve në menaxhimin (ruajtjen) e parasë publike dhe luftimin e dukurive tjera negative në vend.
Dashtë Zoti të dali i suksesshëm ky projekt qeveritar, por deri më tani në historinë e shoqërisë njerëzore nuk ka ndodhur akoma, që një keqpërdorues pushteti, një hajn apo një vrasës ta denoncoj krimin e tij.
Prandaj, të gjithë jemi në pritje; cili do të jetë skeçi i radhës i STUPCAVE ?

Në Prishtinë grafite për kryeparlamentarin ‘Kadri Montana’

Pas grafiteve të dedikuara presidentes së vendit Atifete Jahjaga me mesazhe seksiste e që nxiti reagimet e shoqërisë dhe krerëve institucional, në sheshet e Prishtinës janë parë disa grafite të reja të cilat për personazh kanë kreun e Kuvendit, Kadri Veseli.

Në grafitë është shfaqur Veseli duke qëndruar i ulur, ndërsa në mesazhin e bashkangjitur këtij grafiti shkruan: “ From OWL chilli 98-99 with love Dr. Kadri Montana”.
Ndryshe, Toni Montana njihet si udhëheqës i mafies më të madhe në Itali./KosovaPress

GRAFITEKADRI

Kosovë: Paraburgim për dy të dyshuar për terrorizëm

Një gjyqtar i procedurës paraprake në Departamentin e krimeve të rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan u ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh dy shtetasve të Kosovës, të dyshuar për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Sabit Shkodra, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Gjilanit.

”Me kërkesë të Prokurorisë speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej 1 muaji, të pandehurve F.B. dhe V.H. Të pandehurit, shtetas të Republikës së Kosovës, dyshohet se kanë kryer veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist, nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Shkodra.

Ai ka shtuar se të pandehurit janë arrestuar nga Policia e Kosovës me datën 4 janar, 2016, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.

Të dy të pandehurit, dyshohet se përmes Stambollit, janë kthyer nga Siria.

Ata, po ashtu, dyshohen se kanë qenë pjesëmarrës në luftërat e huaja dhe pjesëtarë të organizatave terroriste.

Visar Ymeri: Protesta e opozitës do të jetë vendimtare

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se protesta e paralajmëruar e opozitës, më 9 janar, do të jetë madhështore dhe vendimtare.

Me anë të protestës, opozita ka thënë se do të kërkojë që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, andaj opozita kërkon që ajo të anulohet.

“Hashim Thaçi dhe shefi i tij, Isa Mustafa, janë të ftuar të numërojnë pjesëmarrësit (në protestë) dhe të shkruajnë statuse, nëse s’kanë punë tjetër. Në qeveri janë kallëzuar të paaftë dhe kriminalë. Opozita e bashkuar me qytetarët ka për të fituar”, ka shkruar Ymeri në profilin e tij në Facebook.

Ai ka reaguar ndaj një deklarate të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka thënë se “partitë opozitare janë verbuar nga mosdurimi për të marrë pushtetin me dhunë”.

“Zëvendëskryeministri që mezi pret të bëhet president sot ka shkruar një hartim, ku si zakonisht kërcënon opozitën. Hashim Thaçi, pretendent për president, po përpiqet të zvogëlojë sadopak protestat gjithëpopullore që do nisin në 9 janar, e që do të vazhdojnë deri në largimin e këtij pushteti të papërgjegjshëm”, ka thënë Ymeri.

Albin Kurti: Ky nuk është gjykim, është persekutim politik

PRISHTINË – Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj–Bujupi dhe Faton Topalli kanë dalë sot para Gjykatës për Krime të Rënda në Pallatin e Drejtësisë. Deputetëve të VV-së, Kurti dhe Haxhiu iu ndryshua masa e paraburgimit, ndërsa ndodhen në “Arrest shtëpie”.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Kadaj–Bujupi, iu hoq dhe masa e arrestit shtëpiak, ndërsa po hetohet në gjendje të lirë. 4 deputetët u arrestuan pas tensioneve të ashpra gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës, ku ligjvënësit e opozitës sulmuan me gaz lotsjellës.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka thënë se ky gjykim që po bëhet ndaj tij nuk është i drejtë. “Unë nuk dua të mbrohem në heshtje. Nuk konsideroj që ndodhem para një gjykimi të drejt. Avokatja është caktuar nga dikush tjetër dhe dua që gjykata të mos marrë parasysh fjalët e saj. Është gjykim i padrejtë dhe persekutim politik”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera ai ka akuzuar gjyqtarin Beqir Kalludra se nuk po lejon komente. “Sipas tij, në këtë fazë lejohet vetëm deklarimi për fajësinë ose pafajësinë”, u shpreh Kurti, raporton Koha.net, ndërsa ka shtuar se “për tërë këtë aktakuzë dhe kaq pak fjalë të them, kjo nuk është e drejtë”.

Edhe bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk do të mbrohet në heshtje, “por nuk dua t’i përgjigjem pyetjeve as të prokurores dhe as të gjyqtarit. “Të gjitha veprimet tona në Kuvend kanë qenë politike dhe në kuadër të fushëveprimit tonë si deputetë. Unë nuk kam dashur fare avokat sepse nuk kam nevojë të mbrohem për veprimet tona”, ka theksuar ajo.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, ka thënë se veprimet tona kanë qenë në interes të qytetarëve.
“Unë nuk jam në konflikt me ligjin, por jam në konflikt me dy marrëveshjet e dëmshme të cilat do të vazhdoj t’i kundërshtoj”, ka thënë ajo, për të shtuar: “Unë nuk do t’i përgjigjem asnjë pyetjeje të prokurorisë e as të gjykatës”. Deputeti tjetër i VV-së, Faton Topalli, ka thënë se do të deklarohet vetëm “për qëndrimet e mija politike”.

Opozita do të sjellë njerëz nga gjithë Kosova në protestën e 9 janarit – VV publikon orarin e nisjeve

Partitë opozitare kanë organizuar autobus falas për qytetarët që duan t’i bashkohen protestës së paralajmëruar të mbahet me 9 Janar në Prishtinë.

Lëvizja Vetëvendosje e ka shpërndarë orarin e nisjes së autobusëve të cilët do të sjellin protestues nga të gjitha qendrat e Kosovës për në Prishtinë.

Grumbullimi i të gjithë protestuesve, të shtunën – 9 janar, do të bëhet të Biblioteka Kombëtare, në ora 14:00, për të marshuar deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Në njoftimet e opozitës thuhet se protestohet “Për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”. /GazetaExpress/.

protesta opozita2

Veseli tronditet rëndë nga Stupcat – ja reagimet

*Oficeri i UÇK-së: Mirë e kanë Stupcat
*Pas skeçeve, ‘Stupcat’ kercenohen me jete

U përgatit si humor për mbrëmjen e 31 dhjetorit 2015, por kjo video e Stupcave ka trazuar politikën kosovare.

Dy aktorët e humorit kosovar kanë ironizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vetë ish-komandantëve të saj, që tani janë në politikë. Ata kane portretizuar luftën e disa komandantëve, që, sipas skeçit, kanë luftuar vetëm për të ndarë pushtetin.

Prej 3 ditësh ka shumë reagime në lidhje me këtë videon, ku shumë e mbështesin humorin dhe ironinë e bërë nga aktorët, por shumë të tjerë e dënojnë si denigruese për luftëtarët e rënë për lirinë e vendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka komentuar skeçin e fundit të grupit humoristik “Stupcat”, duke thënë se as ky humor “pa shije” nuk mund të deformojë një të vërtetë të madhe.
“E vërteta e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është tepër e madhe, botërisht e njohur dhe e pranuar, saqë as humori i zi Dick Martit, e as humori pa shije i këtij skeçi që ju e përmendët, nuk do të mund ta errësojnë apo ta deformojnë këtë të vërtetë”, ka thënë Veseli për “Kohën Ditore”.
“Ata mijëra djem e vajza të Kosovës e më gjerë, që dhanë jetën e lanë gjymtyrët e tyre në luftën për lirinë e Kosovës janë krenaria më e madhe dhe e përjetshme e vendit tonë, janë themeli mbi të cilin qëndron dhe do të qëndrojë përgjithmonë Republika e Kosovës”.

Pas skeceve, ‘Stupcat’ kercenohen me jete
Pas skeçeve të natës së Vitit të Ri, protagonistët e grupit humoristik “Stupcat” janë kërcënuar me jetë.
Kërcënimet kanë ardhur si reagim pas skeçeve të tyre për natën e vitit të ri, të transmetuar në KTV, në veçanti njërit prej tyre – atë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Pas portretizimit të luftës së disa komandantëve, që, sipas skeçit, kanë luftuar vetëm për të ndarë pushtetin, Stupcat kanë marre shumë kërcënime publike.
“Kujna I Ka ra Nder mend me pi qaj Po kush e Ka ba regjin edhe kta vedati mensuri duet mi zan e mi pshurr dajak se nuk u kan lufta uqk humor Po lufta per Liri Po ktyne si shum ju kini dhan perparsi per me ba humor si shum Po propagandojn n emer uqk Turp sjeni artist a Po jeni plehra veq me perfitu idiota”, ishte një nga komentet në Facebook.
“Skan faj keta qe luajn me neve. Kemi faj na qe sjau kajtem nanen ketyne kelyshve te serbis me pastru niher e mir faren shqiptare”, shkruan një komentues tjetër për Stupcat në Facebook.
“leje qė është turp,qka kan bêrê ata stupca po besom që kta met vertet e dojnë stupcin,”, vazhdon komenti i radhës.
“o keta kriminela duhet me i denu me vdekje ne emer te popullit apo me ka 50 vite burge edhe regjisorin skenarin edhe transmeturin .kure na e shajm keshtu qka presim prej qetnikave kriminelave.,”, ishte një koment tjetër në Facebook.

Oficeri i UÇK-së: Mirë e kanë Stupcat

Revolta më e madhe është shprehur në faqen zyrtare të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por nuk ka munguar as në faqe tjera në Facebook.
Përkundër komenteve negative, nuk kanë munguar as ato përkrahëse për Stupcat, në të cilat thuhej se “Stupcat vetëm se e kanë pasqyruar realitetin”.

Në vazhdën e reagimeve ndaj skeçit të grupit humoristik ‘Stupcat’, Hafir Hoxha, njëri nga oficerët e parë shqiptar dhe ish-Komandant i UÇK-së, u ka dhënë edhe njëherë të drejtë humoristëve, duke numëruar edhe arsyet.
Komandanti Hafir Hoxha, kishte hequr dorë nga statusi i veteranit, pikërisht për shkak të parregullsive të shumta që ishin bërë gjatë procedurave të njohjes së statusit.

Më poshtë i gjeni arsyet se përse ai mendon se stupcat kanë të drejtë:

STUPCAT mirë e kan, ja pse

1. Këtë çka e tregojnë nuk e kanë shpikur vet por e kanë dëgjua nga populli dhe nga ish luftëtarët dhe pjesëtarët e UÇK-së.

2. Shumica e milionerëve të sotëm në Kosovë janë ata që e kanë menagjue fondin e 3% dhe atë Vendlindja thërret e që kurrë nuk dhanë llogari sa ishin ato fonde si dhe ku u shpenzuan .

3. Shumica e milionereve të sotëm janë ish udhëheqës të UÇK-së e që para luftës së vitit 1998 nuk kishin asnjë lloj pasurie .

4. Shumica e milionerëve të sotëm janë lider politik që bashkë me ish “komandantët” e UÇK -së e kanë privatizuar ( vjedhur) tërë pasurin e Kosovës, industrinë, fabrikat, teknologjinë, kooperativat bujqësie dhe tokat e punës, ndërmarrjet banesore dhe objektet afariste .

5. Tërë këta milionerë të Kosovës sot i kontrollojnë Universitetet , Akademinë e Shkencave, Media , Gjykatat , Policinë dhe janë mbi ligjin , e kushdo që ren keqpërdorim të tyre dhe ankohet ndaj tyre i bjen se ankohet tek ta !

6. Të gjithë këta milioner sot e kontrollojnë Importin/ eksportin ( doganat) i kontrollojnë edhe ato pak ndërmarrje publike shoqërore , këta i kontrollojnë ( e shit blejnë votat dhe funksionet politike ) këta e vendosin se kush do te fiton në zgjedhje ” të lira” këta e vendosin se kush do te jetë delegat dhe funksionar edhe nga partitë e tyre pa marrë parasysh sa vota ka !?

7. Të gjithë këta lider politik dhe të ish UÇK-së e din fort mirë ose munden ti zbardhin shumë shpejtë të gjitha vrasjet misterioze që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës , por nuk dëshirojnë sepse këta kanë gisht në to .

8. Të gjitha këto që i përmenda i din qytetarët , e din populli por sja vlen as me folë, as me u ankue sepse ski kujtë i tregon as ku ankohesh !!!Mbetet vetëm me bërë humor më këto gjera siç po bëjnë Stupcat e logjike që po ata hajna kujt është didikue ky humor i vërtet dhe i hedhur do të reagojnë në format e tyre që ata e din fort mirë dhe kanë eksperiencë që tu a mbyllur gojën Stupcave dhe dëshmitarëve dhe kritikëve të kësaj gjendje .

9. Me këto skeçe aspak nuk njolloset UÇK-ja, askush atë nuk mundet ta njillos as ta mposhtë sepse ajo ishte e popullit , ishte popull , ishte e shenjtë dhe gjaku i dëshmorëve herdo kurdo frymën do të javë zë atyre që i keqpërdorën dëshmorët , përfituan nga gjaku i tyre dhe sot krimet dhe marrëzirat e tyre tentojnë ti mbulojnë me emblemën e UÇK-së , këtë luftëtari , pjesëtari i UÇK-së nuk do ta lejon . LAVDI DËSHMORËVE

Dialogu Prishtinë-Beograd vazhdon javën e fundit të janarit

Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, në nivel kryeministrash, do të vazhdojë me siguri në javën e fundit të janarit, sipas agjencisë të lajmeve serbe Tanjug, përcjell Klan Kosova.

Takimi ishte planifikuar më herët, diku ka mesi i muajt janar, por sipas Tanjug, kryeministri kosovar Isa Mustafa, e ka kushtëzuar takimin me marrjen e liberalizimit të vizave.

Prandaj, sipas informatave të gazetës serbe, rreth 18 janarit do të takohen dy palët në nivel ekspertësh, kurse kah fundi i muajt të parë të vitit 2016 do të bashkëbisedojnë sërish në Bruksel edhe dy kryeministrat, Isa Mustafa i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq.

Mustafa ka thënë se në takimin e ardhshëm, kurdo që do të mbahet ai, do të bisedohet për çështje si hapësira ajrore dhe hekurudhat dhe po ashtu shpërbërja e strukturave paralele, kurse nga Serbia në plan kanë të tjera tema.

Një listë e tyre, që i është dërguar edhe Klan Kosovës me një janar, e që është transmetuar në një kronikë të Klanit, thuhet se “përveç që do flitet për zbatimin e plotë të marrëveshjes mbi parimet e themelimit të Asociaconit të Komunave Serbe, me rëndësi thelbësore për bisedime janë edhe disa çështje si; trashëgimia kulturore, statusi i pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe pronës private e publike, bashkë me çështjet e të pagjeturve dhe pranimit të diplomave universitare”.

Por, kryeministri i Kosovës në deklaratën e tij të fundvitit pati thënë se “duhet ta kemi edhe ne një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian se edhe kërkesat dhe nevojat e Kosovës po merren parasysh dhe mos të fitohet përshtypja se edhe BE-ja po punon në mënyrë të njëanshme”, njofton Klan Kosova.

Pikërisht për shkak të rezultateve që ka prodhuar dialogu dhe marrëveshjeve që janë nënshkruar në këto bisedime me shtetin serb, në Kosovë vazhdimisht ka pasur krizë politike dhe bllokim të Kuvendit në Prishtinë.

Opozitarët në Kosovë i kanë cilësuar Marrëveshjet me Serbinë si anti-kushtetuese, sidomos atë për Asociacion e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa edhe Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim, pasi iu kërkua nga Presidentja Atifete Jahjafga, se Asociacioni nuk ka përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës në parimet bazë.

Përderisa frytet e dialogut kanë prodhuar krizë, në Bashkimin Europian dialogu e marrëveshjet janë cilësuar si një nga të arriturat më të mëdha të vitit që shkoi.

Përfaqësuesja e BE-së për Politika të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini, ka listuar si njërin nga 12 sukseset e vitit 2015 marrëveshjet e arritura mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, njofton Klan Kosova.

Ajo në bllogun e saj personal Federicamogherini.net, ku ka shkruar për disa nga ato që Bashkimi Europian i konsideron suksese të vitit që lamë pas, ka potencuar se marrëveshjet mes dy vendeve i kontribuojnë paqes së re mes tyre dhe paraqesin një hap historik drejt BE-së.

“2015 ishte viti kur Serbia dhe Kosova nënshkruan numrin më të madh të marrëveshjeve ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Negociatat kanë arritur një paqe të re: do të jetë ende vështirë, por të dyja vendet kanë marrë një hap konkret dhe historik drejt integrimeve europiane. Ne kemi hapur kapitujt e parë me Serbinë, kurse Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ka qenë një arritje e madhe për Ballkanin, dhe për të gjithë europianët”, ka shkruar Mogherini, njofton Klan Kosova.

Megjithatë, Opozita e bashkuar – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosvoën – kanë ndërmend që me nëntë janar të dalin në protesta për të kërkuar tërheqjen e Kosovës nga marrëveshjet dhe shkarkimin e vet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Koalicioni i shtetrrënimit Nga Aida Dërguti

Beteja për pushtetin e drejtuesve të PDK-së e LDK-së ka pasur çmim të lartë për Kosovën këto 16 vite. Këta na kanë dhënë dëshmi të shumta që mund të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, mbi idealin e tyre. Këta nuk e kanë të vështirë të shkelin Kushtetutën sa herë është në pyetje mbajtja e pushtetit vetjak.

Viti i ri në Kosovë po fillon me hallet e vjetra. Me gjithë hallet e grumbulluara të qytetarëve, nisur nga papunësia, varfëria, shërbime të dobëta në shëndetësi dhe në anën tjetër, premtimeve përrallore të partnerëve të koalicionit aktual qeverisës për zhvillim ekonomik e vende të reja të punës, kjo Qeveri vazhdoi dhe ka vendosur të vazhdojë me avazin e vjetër të paraardhëses së saj, me Negociatat me Serbinë si top-prioritet.

Strumbullari i koalicionit Thaçi – Mustafa – Lista Serbe janë kushtet e marrëveshjes me këtë të fundit, ku në krye të kësaj marrëveshjeje qëndron themelimi i “Zajednicës”. Duke e pasur parasysh se Lista Serbe është zgjatim i Qeverisë së Serbisë brenda institucioneve të Kosovës, kushtet e marrëveshjes për koalicionin qeverisës janë kushte të Serbisë. Këto kushte si edhe çdo veprim tjetër i Serbisë, që nga shpallja e pavarësisë kanë për qëllim zhbërjen e asaj republike-në-bërje, ani pse të shpallur në 2008 me rezerva, me kushte, me kompromise, duke fshehur historinë e re të Kosovës. Ky është thelbi i kësaj Qeverie. Të tjerët janë gëzhoja e fortë që e mbështjellë, mbron dhe pavetëdijshëm zhvillon idenë e shtetrrënimit. Mbështjellësi Thaçi-Mustafa ka për qëllim të vetëm pushtetin, sepse po doli Lista Serbe, bie Qeveria. Prandaj, koalicioni qeverisës shtynë me çdo kusht themelimin e “Zajednicës”, qoftë edhe kur një gjë e tillë është antikushtetuese.

Hashim Thaçi me moton ‘familja, prona, shteti’ Kosovën e konsideron si pronë për familjen, miqtë dhe militantët. Prandaj nuk është çudi që këta politikanë venë gjithçka në shërbim të familjeve të tyre, përfshirë këtu edhe shtetin. Ky njeri, i cili nënshkroi shuarjen e UÇK-së kur nuk pati nevojë, pranoi karakterin multietnik të shtetit, ndonëse rreth 92% të popullsisë janë shqiptarë, për dy mandate si kryeministër, përmes dialogut të Brukselit e me koncesione të vazhdueshme, hap pas hapi shtroi rrugën për “Zajednicën”.

Isa Mustafa, ky dorëzues historik i lirisë së Kosovës, pjesëmarrës në keqpërdorimin e Fondit të 3% të mbledhur nga mërgata shqiptare, keqpërdorues i pushtetit sa ishte kryetar i Prishtinës, tani u vu në krye të qeverisë për ta kthyer Serbinë përmes “Zajednicës”. Këtij autokrati të heshtur përfundimisht i ra maska. Nuk është në natyrën sadomazohiste të Isa Mustafës dialogu i brendshëm. Opinionit në Kosovë e jashtë saj i kujtohet fare mirë sesi i përjashtoi përfaqësuesit e degëve të LDK-së në diasporë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm. Me qasjen përjashtuese u përpoq pasukses ta heshtë e ta mposhtë opozitën.

Isa Mustafa, na kërcënohej nga Brukseli për një aksion krejt të thjeshtë e simbolik pranë rrethojave të pronës së tij në rrethinat e Prishtinës, në Prapashticë, ndërkohë që pranonte shtrirjen e “Zajednicës” gjerë e gjatë nëpër Kosovë, me kompetenca ekzekutive e kushtetutbërëse, përballë të cilës edhe Kuvendi i Kosovës do të ishte i pafuqishëm që në çfarëdo rrethane ta shpërbënte atë.

Nga fundi i gushtit 2015 e deri fund të dhjetorit 2015 qoftë Isa Mustafa qoftë Hashim Thaçi i ndërruan deklaratat e tyre lidhur me marrëveshjen e Brukselit. Por ata nuk ndërruan vetëm një parullë të cilën e përsëritën në mënyrë automatike në çdo konferencë, mbledhje qeverie, intervistë e takim publik. Të dy thanë se kishin nënshkruar marrëveshje në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në përputhje me interesin e vendit. Opozita e bashkuar vërtetoi pikë më pikë se Kushtetuta e vendit ishte shkelur rëndë. Në thamë se Zajednica nuk është OJQ dhe nuk i ngjan Asociacionit të Komunave të Kosovës, se po ka kompetenca ekzekutive, se është etnike dhe raciste dhe se është në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, se e ndan arsimin e shëndetësinë mbi baza etnike dhe rrezikon pronën e ekonominë e vendit tonë nga telekomunikacioni e energjitika tek pronat e shqiptarëve në Suhodoll e tek Trepça e Liqeni i Ujmanit.

Në krahun e argumenteve të Opozitës së bashkuar u vendosën 205 mijë qytetarë në Peticionin e shtator-nëntorit 2015, mijëra shqiptarë të mërgatës, dhjetra specialistë të fushës, qindra intelektualë nga Shqipëria e Maqedonia e dhjetëra opinionistë shqiptarë e ndërkombëtarë, madje dhe serbë si rasti i Sonja Biserkos.

Në krahun e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit përpos që nuk gjen asnjë gjurmë a dëshmi për mbështetjen nga qytetarët e Kosovës, shqiptarët në rajon, shqiptarët në mërgatë, nuk gjen madje as dhe një jurist me integritet e profesionalitet që t’ua justifikojë shkeljet e rënda kushtetuese dhe dëmin që i sjellin Kosovës marrëveshjet me Serbinë.

Në krahun e gënjeshtrave të tyre se Marrëveshja e 25 gushtit Mustafa-Vuçiq është në përputhje me Kushtetutën janë vetëm “specialistët” e oborrit të pushtetit.

Beteja për pushtetin e drejtuesve të PDK-së e LDK-së ka pasur çmim të lartë për Kosovën këto 16 vite. Këta na kanë dhënë dëshmi të shumta që mund të shkelin mbi gjakun e dëshmorëve, mbi idealin e tyre. Këta nuk e kanë të vështirë të shkelin Kushtetutën sa herë është në pyetje mbajtja e pushtetit vetjak.

Këta ne kemi legjitimitetin t’i quajmë shtetrrënues. Shqetësimi i tyre kryesor është kush dhe si po i ndajnë postet shtetërore teksa edhe vendimi i Gjykatës që e kontrollojnë vetë iu thotë se e kanë shkelur Kushtetutën. Këta nuk i ndal as ligji as rendi kushtetues sepse këta nuk janë prodhuesit kryesor të shkeljeve. Këta nuk mendojnë për pasojat e dëmshme e afatgjata që ia shkaktojnë vendit. Këta mund të vazhdojnë kështu pa ndalim nëse nuk ndërhyjmë për t’i ndalur.

Kjo Qeveri ka afat deri më 9 janar të largohet. Në të kundërtën, me 9 janar qytetarët do të flasin siç flitet kur Qeveria tradhton vendin. E shtuna e 9 janarit shënon datën e fillimit të rënies së tyre.

Poshtë Qeveria! Rroftë Republika!

Aida Dërguti është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës 

Për një fillim të mbarë – Me këmbë të djathtë në vitin 2016 – Nga FLORIM ZEQA

Ndërrimi i kursit qeverisës të vendit është mundësia e vetme për shpëtimin e shtetit nga katandisja e mëtutjeshme
Fillimi i ndryshimeve në skenën politike është imperativ i ngutshëm kohor.
Nëse me të vërtetë, të gjithë e dëshirojmë ndryshimin në vendin tonë ashtu siç deklarohemi, atëherë menjëherë duhet t’i përvjelim mëngët, t’ia fillojmë punës nga ditët e para të këtij viti, të mos presim kot nga “babadimrat” ndërkombëtarë
Emërues i përbashkët i të gjitha urimeve të vitit të ri, ishte për një fillimi të mbarë në 2016-n, me shëndet, mbarësi, begati, mirëqenie, suksese, etj. Edhe kësaj radhe, urimet e liderëve shtetërorë, të mbuluara plot hipokrizi në prag të vitit të ri, më tepër u ngjanin përrallave për dhuratat e Babadimrit. Gjakftohtësia, buzëqeshja artificiale dhe luku kozmetik (frizurat) me dekorin përreth (me flamuj lara-lara, pa flamuj kombëtarë), janë pasqyra më reale e gjendjes së tyre shpirtërore dhe katandisjes shtetërore të Kosovës.
Nuk është befasi paraqitja e liderëve analfabetë të cilëve zanorja “ë” iu bëhet “Y”, por befasi është paraqitja e padenjë për një personalitet pak më të ngritur intelektualisht, në postin e kryeministrit, i cili vazhdoi me avazin e vjetër të hipokrizisë politike, se gjoja për një vit të qeverisjes së tij janë arritur suksese të mëdha, pa e veçuar asnjë sukses të vetëm sa i përket rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit.
Loja me karta të djegura
Kësaj radhe premtimet e liderëve shtetërorë në prag të ndërrimit të moteve ishin të përqendruara në “kartën” e djegur të liberalizimit të vizave, “luftimin” e korrupsionit, “zhvillimin” ekonomik dhe “mirëqenien” e qytetarëve. Këto fjalë plot hipokrizi të pushtetarëve u ngjajnë përrallave për Babadimrin inekzistent.
Një Qeveri që mendon vetëm për veten e saj, nuk mund të ketë kohë të mendojë për qytetarët e vendit, nuk mund t’ i bëjë të qeshura fytyrat e fëmijëve të familjeve të varfra, e aq më pak të pensionistëve, këtyre dy grupmoshave më të goditura të vendit tonë.
Ngase buxheti i varfërisë i kësaj Qeverie, i miratuar me numrat e shumicës në një Kuvend të improvizuar në rrethanat e një krize të rëndë politike dhe sociale në vend, jo vetëm që nuk garanton zhvillim ekonomik, nuk krijon kushte për hapje të reja të vendeve të punës, as ngritje të pagave, pensioneve, madje as të ndihmave sociale!
Isa Mustafa harron flamurin dardan
Shqetësimet e ngritura në një shkrimin timin paraprak, i vërtetoi në mënyrën më besnike vetë kryeministri Mustafa më 31 dhjetor 2015 me paraqitjen publike para medieve me rastin e urimit drejtuar qytetarëve për vitin e ri, i rrethuar me flamuj lara-lara, nuk i ngjante një njeriu që kishte dhënë “premtimin” për kthimin e flamurit dardan.
Zëvendësimi i njërit flamur lara-lara me flamurin kombëtar apo atë dardan do t’i bënte nder së pari vetës së tij, pastaj do të reflektonte shpresë dhe besim te qytetarët e vendit për një të nesërme më të mirë.
Isa Mustafa, së paku, është dashur të ndjekë shembullin e liderit paraprak të LDK-së, ish- presidentit Fatmir Sejdiu, i cili gjithmonë në Presidencë përkrahë flamurit lara-lara mbante edhe amanetin e presidentit Rugova-flamurin dardan!
Fundi i një Qeverie të korruptuar
Kjo Qeveri e korruptuar dhe e shantazhuar, me probleme zinxhirore në sistemin e drejtësisë, me ekonomi të pazhvilluar, me sovranitet të dyfishtë shtetëror, me integritet territorial të cunguar,…me liderë të papërgjegjshëm, analfabetë dhe injorantë politikë, shtetin e Kosovës është duke e dërguar me shpejtësi drejt greminës dhe errësirës së pafund.
Fillimi i ndryshimeve në skenën politike është imperativ i ngutshëm kohor,  ndërrimi i kursit qeverisës të vendit është mundësia e vetme për shpëtimin e shtetit nga katandisja e mëtutjeshme.
Nëse me të vërtetë, të gjithë e dëshirojmë ndryshimin në vendin tonë ashtu siç deklarohemi, atëherë menjëherë duhet t’i përvjelim mëngët, t’ia fillojmë punës nga ditët e para të këtij viti, të mos presim kot nga “babadimrat” ndërkombëtarë.
Ta fillojmë ndryshimin secili nga vetvetja jonë, nga qasja e deritanishme (pasive), të kalojmë në kreativitet, iniciativa të shëndosha, pa paragjykuar pushtetin dhe as interesin personal.
Të mos rreshtohemi pas njerëzve që luftojnë për pushtet, por pas atdhetarëve të vërtetë, aktivistëve dhe veprimtarëve që ideal kanë shtetndërtimin dhe të ardhmen prosperuese të vendit të tyre.
Fillim i Ri
Vërtet ka ardhur koha për një fillim të RI, në frymë të re politike të bazuar në atdhedashuri, barazi qytetare, respektim të rregullave dhe ligjeve shtetërore, në vlera dhe kulturë, për një bashkëpunim të shëndoshë dhe transparent me njëri-tjetrin.
Këtu nuk bëhet fjalë për ndërrim të pushtetit, siç e mendon qeveritarët dhe një pjesë e opozitës, por për ndërrim të tërësishëm  të sistemit qeverisës në vend, për kalim nga filozofia aktuale e kastës politike (që është vjedhja e shtetit dhe plaçkitja e qytetarëve) në një filozofi të re politike, ngjashëm sikurse në vitet e ’90-ta (për dhënien gjithçka nga vetja për shtetin dhe të mirën e qytetarëve të vendit).
Ky është çelësi, kjo është zgjidhja e mijërave problemeve të grumbulluara  përgjatë viteve. Andaj pa humbur kohë, secili le t’i thërrasim  ndërgjegjes sonë, t’i bashkojmë dhe bashkërendojmë  veprimet për largimin e kësaj klase të korruptuar politike, të këtyre kusarëve politikë që rropën e çrropën  gjithë pasurinë shoqërore, që e katandisën keq shtetin e krijuar me mundin dhe sakrificën e shumë gjeneratave.

Anton Quni: Vrasjet politike i ka bërë SHIK-u i Kadri Veselit

Voal – Anton Quni ka kërkuar sqarime prej Kadri Veslelit për vrasjet e pasluftës. Ai e ka lidhur SHIK’un me PDK’në, ku udhëheqësit e kësaj organizate kanë hyrë në Partinë e Hashim Thaçit.

Deputeti i LDK’së, Anton Quni ka thënë se me dëshirë do të ballafaqohej me Kadri Veseli për të folur për vrasjet politike që kanë ndodhur pasluftës.

Ai ka thënë se për të gjitha vrasjet politike që kanë ndodhur pasluftës gishtri drejtohet ka SHIK’u i Kadri Veslelit.

“Ekziston një përceptim jopozitiv për SHIK’un. Shumë pista, apo kur ngritet cështja e vrasjeve misterioze shumë njerëz e drejtojnë gishtin kah SHIK’u. Më ketë cështje duhet të merren orgabet e drejtësisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Nënkryetari i PDK’së duhet të sqarojë vrasjet politike pasi Kadri Veseli ka udhëhequr një shërbim që ka pasur informacione.

”Kadri Veseil i ka borxh shumë kësaj shoqëria. Ai ka thënë se SHIK’u ka qenë i domosdoshëm për kauazën kombëtare. Por, ne s’e kemi asnjë argument, asnjë fakt, asnjë rezultat që kanë arritur strukturat e SHIK’ut”, ka shtuar ai.

Quni ka thënë se nuk e di nëse SHIK’u ka qenë nën PDK apo mbi këtë parti.

Ky deputet ka kërkuar sqarime se si ka funksionuar SHIK’u, kush e ka financuar, si ka përdor metodat e mbledhjes së informacione.

“SHIK’u nuk është krijuar në një klimë demokratike. Është krijuar në një klimë lufte”, ka shtuar ai ne Rubikon te KTV’se.

Quni ka thënë se funksionimi i SHIK’ut arysetohet vetëm deri te përfundimi i luftës, por jo edhe pas hyrjes së KFOR’it në Kosovë.

(Kjo deklaratë e Anton Qunit është bërë në 9 Janar 2014 në Rubikon te KTV’së)

 

 

Isa Mustafa: Thaçi ka lëshuar zagarët nga frika se po i shuhet magjja

Voal – Kreu i LDK-së, Isa Mustafa i ka quajtur zagarë të Hashim Thaçit ata që po thonë se ai do të arrestohet. I quan me mendësi vrastare, ndërsa i krahason me vrasjet e veprimtarëve të shumtë të LDK-së pas luftës.

“Edhe ju po i dëgjoni shërbëtorët e Hashim Thaçit në emisionet e ‘Klan Kosova’ se si po më arrestojnë çdo ditë. Kjo është punë e zagarëve. Hashim Thaçi i ka lëshuar zagarët, sepse po frikësohet që po i shuhet magjja e qeverisë korruptive”, ka shkruar Mustafa në Facebook. Por nuk e ka lënë me kaq.

“Lexova këto ditë disa shkrime ne gazetën ‘Koha Ditore’ lidhur me vlerësimet e NATO-s për krimet e ndodhura në Kosovë dhe rrjetin e krimeve. Më doli se është më lehtë të përballesh me zagarët sesa me gjahtarët. Këta nuk kanë forcë të më vrasin, por kanë dëshirë të më arrestojnë, sepse po e humbin pushtetin. Të ngjashmit me këta bënin gjueti pas lufte; ata vranë shumë veprimtarë të LDK-së. Sa i përket profesionit, nuk dallojnë shumë, nuk është me rëndësi a janë profesorë, ministra apo gazetarë. Sepse, mendësinë e kanë vrastare”, ka shkruar Mustafa./marrë nga koha.net 26 Maj 2014

(Voal po i përcjell lexuesit se ku është përqendruar Isa Mustafa dhe LDK gjatë fushatës zgjedhore 2014. Me këtë fushatë LDK ka mashtruar votuesit, sepse pas fushatës i harroi premtimet. Voal shpreson që të mos censurohen tash e mbas arkivat e portaleve dhe gazetave të Kosovës.)

Isa Mustafa: Partia e Hashim Thaçit e ka kapur shtetin për fyti

Voal po i përcjell lexuesit se ku është përqendruar Isa Mustafa dhe LDK gjatë fushatës zgjedhore 2014. Me këtë fushatë LDK ka mashtruar votuesit, sepse pas fushatës i harroi premtimet. Voal shpreson që të mos censurohen tash e mbas arkivat e portaleve dhe gazetave të Kosovës.

Voal – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i saj për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të hënën gjatë një takimi me strukturat drejtuese të degës së pestë të LDK-së në Prishtinë dhe banorë të Hajvalisë dhe Malësisë së Gollakut, se vetëm LDK është partia politike, e cila ka mundësi t’i rrëzojë me votë nga pushteti PDK-në e Hashim Thaçin, të cilët po vazhdojnë të sillen si sundimtarë dhe tutorë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Partia e Hashim Thaçit e ka kapur për fyti shtetin, kërcënon çdo ditë kë të dojë, kujt të dojë i thotë të burgosi, të arrestoj, të liroj, t’i zvogëloj pagat, t’i rrisë pagat. Por, ky shtet nuk është shtet i sundimtarit. Pronar i këtij shteti nuk është Hashim Thaçi, nuk është PDK, pronar i këtij shteti është dhe do të jetë qytetari, populli, sovrani dhe prandaj ne kemi obligim të bëjmë ndryshime, t’ua heqim qafe qytetarëve tutorizmin, bandat, kriminelët, sepse vendin me kriminelë nuk mund ta çojmë përpara”, ka thënë Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Isa Mustafa, ka theksuar se LDK është e mobilizuar dhe duhet të mobilizohet edhe më shumë deri më 8 qershor, që vullnetin e qytetarëve për mbështetjen e alternativës së saj qeverisëse të mos lejojë t’i rrëshqas nga dora.

“LDK e ka pikë përnime ta rrëzojë qeverinë e Hashim Thaçit dhe atij e bashkëpunëtorëve të tij të mos ia mundësojë kurrë më të kthehet dhe ta kriminalizojë këtë vend”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit, LDK, në zgjedhjet e 8 qershorit do të marrë mbështetjen edhe të shumë qytetarëve që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, por që dëshirojnë ndryshime në mënyrën e qeverisjes së vendit dhe që LDK-në e shohim si mundësi për ta realizuar atë objektiv.

“Qeverisja e deritanishme, shtetin e Kosovës e ka bërë t’i përngjajë shteteve të ish-Bashkimit Sovjetik, në pikpamje të kapjes së shtetit. Gjithçka është monopolizuar, është kriminalizuar. Këta nuk kanë me lan gjë pa bërë me fitu edhe një mandat për me shpëtu, Ne nuk do të lejmë asgjë pa bërë për t’i rrëzuar ata nga pushteti dhe për t’ua kthyer shtetin qytetarëve”, ka thënë Mustafa..Indeksonline/

20:23 / E hënë, 26 Maj 2014

Zbulohet se Policia e përgjoi opozitën për të arrestuar deputetët

Policia e Kosovës kishte përdorur informacione të marra nga përgjimi telefonik i të paktën 10 aktivistëve të Vetëvendosjes, për të arrestuar deputetët e opozitës: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj Bujupi.

KTV-ja ka arritur të sigurojë një raport informues të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë, i përpiluar për prokurorin e rastit, nga i cili kuptohet që nga 27 nëntori deri më 30 nëntor 2015, policia kishte përgjuar aktivistët e Vetëvendosjes: Dardan Molliqaj, Hysen Durmishi, Kushtrim Dakaj dhe Sali Zyba, siç thuhet, “me qëllim mbledhjen e informacioneve për gjetjen e vendstrehimit të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu”.

Nga të gjitha bisedat e përmbledhura, thuhet se nuk ka pasur asnjë bisedë telefonike dhe asgjë relevante për rastin nën hetim.

E vetmja vërejtje ishte dhënë për një sms që kishte marrë Hysen Durmishi, më 28 nëntor, ku ai “ftohet që të shkojë në zyrat e LVV-së për arsye se policia i ka rrethuar ato dhe dëshirojnë ta arrestojnë Albin Kurtin”.

Ndërkohë, në Vetëvendosje kanë thënë se asnjëherë nuk janë njoftuar për këtë. Albana Merja, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se në raste të tilla duhet pasur kujdes, sepse policia mund të përgjojë vetëm ata persona që janë subjekt hetimesh./koha.net

‘Stupcat’ marrin kërcënime me jetë

Pas skeçeve të natës së Vitit të Ri, protagonistët e grupit humoristik “Stupcat” janë kërcënuar me jetë.

Kërcënimet kanë ardhur si reagim pas skeçeve të tyre për natën e vitit të ri, të transmetuar në KTV, në veçanti njërit prej tyre – atë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trasnmeton lajmi.net.

Pas portretizimit të luftës së disa komandantëve, që, sipas skeçit, kanë lufutar vetëm për të ndarë pushtetin, Stupcat kanë pranuar shumë kërcënime publike.

“Kujna I Ka ra Nder mend me pi qaj Po kush e Ka ba regjin edhe kta vedati mensuri duet mi zan e mi pshurr dajak se nuk u kan lufta uqk humor Po lufta per Liri Po ktyne si shum ju kini dhan perparsi per me ba humor si shum Po propagandojn n emer uqk Turp sjeni artist a Po jeni plehra veq me perfitu idiota”, ishte një nga komentet në Facebook.

“Skan faj keta qe luajn me neve . kemi faj na qe sjau kajtem nanen ketyne kelyshve te serbis me pastru niher e mir faren shqiptare”, shkruan një komentues tjetër për Stupcat në Facebook.

“leje qė është turp,qka kan bêrê ata stupca po besom që kta met vertet e dojnë stupcin,”, vazhdon komenti i radhës.

“o keta kriminela duhet me i denu me vdekje ne emer te popullit apo me ka 50 vite burge edhe regjisorin skenarin edhe transmeturin .kure na e shajm keshtu qka presim prej qetnikave kriminelave.,”, ishte një koment tjetër në Facebook.

Revolta më e madhe është shprehur në faqen zyrtare të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por nuk ka munguar as në faqe tjera në Facebook.

Përkundër komenteve negative, nuk kanë munguar as ato përkrahëse për Stupcat, në të cilat thuhej se “Stupcat vetëm se e kanë pasqyruar realitetin”. /lajmi.net

 

Presidentja Jahjaga: Mandati im përfundon me 6 prill, për Thaçin vendosin deputetët

Voal – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në intervistën dhënë gazetës “Zëri” për numrin festiv ka folur edhe për çështjen e presidentit. Ajo ka thënë se nuk do të kandidoj për një mandat të dytë.

”Mandati im përfundon më, 6 prill 2016’, ka thënë Jahjaga. E pyetur nëse në mandatin e dytë do të ishit edhe më e suksesshme, presidentja Jahjaga ka shtuar.

“Jam e përqendruar në përmbylljen e mandatit tim si presidente. Kam ende gjëra që më duhet t’i përmbyllë. Dhe mos harroni ende kam për të luajtur rol në tejkalimin e krizës aktuale. Kudo që do të jem, do të vazhdoj të jem e përkushtuar që të kontribuoj në forma të ndryshme në shumë çështje, të cilat i kam iniciuar në rolin tim si presidente”, ka thënë ajo, transmeton zeri.info.

Ndërkohë që sa i përket Hashim Thaçit president të ardhshëm, presidentja Jahjaga ka thënë se kjo do tu takoj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Është çështje e 120 deputetëve, që janë të thirrur me Kushtetutë, të zgjedhin presidentin e Republikës së Kosovës. Kjo del përtej detyrave të mia kushtetuese të jap vlerësim për këdo nga ky pozicion”,ka thënë Jahjaga./Zeri/

Albin Kurti ndërron strategji: Qeverinë do ta rrëzojmë pa dhunë

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se si u shkarkua Jabllanoviqi, ashtu do të shkarkohet edhe kryeministri Isa Mustafa. Kurse, propozimin për t’u bërë Hashim Thaçi president, Kurti e sheh si një çmenduri që vështirë se do të ndodhë nëse kemi parasysh kohën intensive që do ta përbëjë janari i këtij viti.

I përmbledh me një kronologji të gjitha ngjarjet që ndodhen në vitin 2015. Shkarkimin e Jabllanoviqit e quan sukses të protestave dhe presionit që u bë përmes këtyre protestave. Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjendet në arrest shtëpiak, viti 2015 ishte shumë i vështirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, meqenëse u shtrenjtuan çmimet dhe nuk pati punësime ashtu siç u premtua.

Kurti thotë se kishte manipulime edhe me Trepçën, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur e ngujuar, përkatësisht, e okupuar në veriun e Kosovës. Kurtit, në këtë intervistë për KosovaPress, nuk i iku as Gjykata Speciale, për të cilën thotë se deputetët e kaluan nën presion dhe trysni.

E së fundmi opozita e përbërë prej Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës, nisën kundërshtimin e një procesi tjetër që do të nënshkruhej në Bruksel, për krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Për Kurtin, por edhe për dy partitë tjera opozitare, në Kosovë po krijohet një Republikë Sërpska dhe këtë fuqishëm e kundërshtuan për tre muaj rresht në Kuvendin e Kosovës, me gaz lotsjellës dhe protesta.

Protesta të tilla do të nisin edhe në vitin 2016, pasi që Asociacioni i Komunave Serbe që për opozitën e bashkuar është “Zajednicë”, u vërtetua edhe me një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese. Ai vendim po i jep krah opozitës që të vazhdojë ta kundërshtojë deri në tërheqjen e nënshkrimit, ose edhe të rrëzimit të qeverisë.

Kurti është i bindur se kjo opozitë e bashkuar, e cila nuk po ua mbush syrin Qeverisë, do ta rrëzojë shpejt atë.

“Opozita e bashkuar është një fenomen shumë interesant. Besoj se këtu një kontribut të veçantë ka dhënë Lëvizja Vetëvendosje, e cila duke qenë në pozitë prijëse e ka bashku opozitën. Ju të gjithë e mbani mend se si koalicioni AKR – PDK, në mandatin e katërt të legjislaturës së Kosovës në kohën e pasluftës, ishte një koalicion shumë i brishtë por ja që qëndronte. Ndërkohë që ky koalicion i madh PDK –LDK nuk qëndron dot. Arsyeja për këtë është se tash Vetëvendosja është opozita e parë. Në mandatin e kaluar ne kemi qenë gjithnjë në një situatë shumë të vështirë, meqenëse midis PDK-së si parti në pushtet në një shtet të kapur për shkak të tyre dhe Vetëvendosjes si opozitë e vërtetë, e kishim LDK-në e cila bënte opozitë për temat dhe në kohën kur kjo i konvenonte pushtetit, kur pushteti ia lejonte një të tillë. Tash që Vetëvendosje është opozita prijëse është bashkuar opozita. Nuk kemi pasur këso dukuri në Kosovën e pasluftës. Kemi pasur kur janë të bashkuar në pozitë – në një qeverisje të gjerë të koalicioneve të të tri partive, apo katër partive – mirëpo nuk kemi pasur opozitë të bashkuar. Unë besoj që kjo është dëshmi se në Kosovën e pavarur po lind demokracia parlamentare dhe jam i bindur që opozita e bashkuar duke qenë gjithnjë e më shumë opozitare dhe gjithnjë e më shumë e bashkuar do të bëjë ndryshime të mëdha në vitin e të cilit po hyjmë”, thotë Kurti.

Pas vendimit të Kushtetueses, sipas deputetit Kurti, Qeverisë nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos zgjedhjeve. Por ai nuk e thotë se edhe në zgjedhje Vetëvendosje do të jetë e bashkuar me AAK dhe Nismën.

“Tash pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nuk na ka mbetur gjë tjetër veç se të shkojmë në zgjedhjet e reja parlamentare. Për këto dy tema ne jemi bashkë si opozitë e bashkuar. Është e mundshme që do të jemi bashkë në një listë zgjedhore, mirëpo, unë nuk mund ta paralajmëroj një gjë të tillë e aq më pak ta konstatoj për shkak se është tepër herët. Dhe kjo është një çështje që u takon ta vendosin krerët e tri subjekteve opozitare dhe strukturave udhëheqëse përkatëse”, thotë Kurti.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kurti mendon se kësaj klase politike i ka ardhur fundi dhe duhet të ndërrohet komplet. Por në këtë klasë politike ka edhe njerëz që i përkasin opozitës së bashkuar si Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Fatmir Limaj i Nismës, persona këta që dikur ishin në qeverisje.

Por tash Kurti i arsyeton Haradinajn dhe Limajn.

“Unë besoj që roli dhe funksioni i njerëzve në politik varet shumë prej proceseve në të cilat ndodhen, prej pozitave të cilat janë në një organizëm të caktuar se sa prej karaktereve, subjektive individuale të tyre. Nuk po them se ne nuk kemi dallime, se sigurisht që kemi. Nuk po them se nuk kemi probleme nga e kaluara, se sigurisht se kemi. Por besoj se ajo çfarë kemi përpara është shumë më e rëndësishme jo vetëm për neve si opozitë e bashkuar por para se gjithash mbi të gjitha për Republikën e Kosovës dhe për popullin e saj. Qeveria aktuale është një fakt i keq, opozita e bashkuar është një mundësi e re dhe jam i bindur se kjo mundësi e re do të forcohet dhe do të zgjerohet, do të thellohet në sfidat gjithnjë më të mëdha që na presin në vitin 2016. Sfida këto që ne nuk i konsiderojmë vështirësi të pakalueshme, përkundrazi i konsiderojmë pengesa në tejkalimin e së cilave ne do të kalitemi gjithnjë e më shumë”, thotë Kurti për KosovaPress.

Rrëzimi i Qeverisë është një arsye që do të nxjerrin në rrugë sërish opozitën e bashkuar, madje shumë shpejt. Kjo formë kundërshtimi do të organizohet më 9 janar. Masiviteti që do të mbretërojë në këtë ditë do të jetë mjaftueshëm për t’i dhënë një mesazh pozitës që të jap dorëheqje.

Kurti thotë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të jetë e vetmja që do të organizohet për këtë fillim vit. Thotë se ato nuk do ndalen deri në rrëzimin e kësaj qeverie.

“Natyrisht nëse nuk ka dorëheqje do të ketë rrëzim, por gjithsesi është më mirë që të ketë dorëheqje se sa rrëzim. Ne nuk i kemi caktuar ende datat e protestave të tjera në vijim, mirëpo ashtu siç është e sigurt kjo protestë, ashtu do të jetë e sigurt se do të ketë edhe pas nëntë janarit…. Jo. Ne nuk përdorim dhunë. Ne jemi aty të paarmatosur. Janë policia e cila paraqet një lloj eskadroni të nëpunësve të padrejtësisë dhe dhunës, gjithnjë në shërbim të regjimit, ajo e cila po përdor dhunë ndaj protestuesve. Në vitin 2015, kështu ishte dhe uroj që mos të jetë edhe në vitin 2016. Ne nuk do ta rrëzojmë me dhunë këtë qeveri, por me trysnin civile të popullit të Kosovës. Mustafa pati thënë se nuk do ta shkarkojë as Jabllanoviqin, mirëpo e dimë shumë mirë se kjo ndodhi. Por, më shumë se një muaj e mbronte Jabllanoviqin, mirëpo në fund u detyrua që ta shkarkojë. Dhe këtë gjë që dikur e bëri me Jabllanoviqin në shkurtin e këtij viti, në fillim vitin e 2016-të do të duhet ta bëjë me vetveten e tij. Ashtu siç e shkarkoi Jabllanoviqin do ta shkarkojë edhe vetveten. Për shkak se trysnia civile e popullit të Kosovës paqësore dhe e padhunshme do të jetë edhe masive dhe e pandalshme”, thotë Kurti.

Po ai nuk e konfirmon se a do të jetë i pranishëm në këto protesta, pasi deri më 6 janar ai pret përgjigjen nga Gjykata, në potë njëjtën ditë kur e ka edhe seancën gjyqësore.

Pas kësaj seance, Kurti thotë se në bashkëpunim me kryetarin e VV-së, Visar Ymerin dhe liderët tjerë opozitarë do të marrin vendimin e duhur.

Kurti e ripërsërit se “Zajednica” ka vdekur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Këtë vendim e komentoi edhe sekretari i shtetit Amerikan John Kerry, por që sipas Kurtit, as Kerry nuk e përkrah këtë “Zajednicë”.

“Gjykata e kapur Kushtetuese e ka parë se sa e keqe është “Zajednica” dhe ka qenë e domosdoshme që praktikisht ta anulojë ata në 23 nene tëKushtetutës që ajo i shkel me secilën prej shtatë kapitujve të saj. Unë e kam përcjellë edhe konferencën për shtyp të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, i cili praktikisht e pranoi që “Zajednica” është kompromis i madh sepse tha që liderët tuaj janë shumë të guximshëm. Kanë treguar lidership. D.m.th. me vet faktin që thoshte kanë treguar lidership, tregon se kanë bërë koncesione të mëdha dhe ai tha që “ne nuk përkrahim marrëveshje të cilat janë të dëmshme për integritetin territorial, sovranitetin dhe ardhmërinë e Kosovës” dhe pas këtij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese praktikisht i bie që sekretari amerikan John Kerry, nuk e përkrah “Zajednicën”. Të vetmit që e përkrahin “Zajednicën” janë Beogradi, andaj sot ta përkrahësh “Zajednicën” do të thotë ta përkrahësh Beogradin. Prandaj, është absurd ky qëndrimi i Mustafës por, unë besoj që në frymën e asaj çka ka thënë sekretari Kerry do të duhej që sa lidership madje shumë më shumë lidership të tregojnë zyrtarët e Serbisë duke bërë koncesione të drejta karshi Kosovës, e jo Kosova duke bërë koncesione të padrejta karshi Serbisë. E di që nuk do të jetë lehtë, mirëpo, siç thotë një mik i imi “e keqja po e bënë të veten” mirëpo, edhe ne po e bëjmë tonën. Opozita e bashkuar është më e vendosur, më punëtore dhe më e bashkuar si asnjëherë më pare”, thotë tutje Kurti.

Ai ka dhënë edhe arsyet se pse Bashkimi Evropian insiston në krijimin e Asociacionit.

“Ka një insistim të Bashkimit Evropian që të vazhdohet me krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Besoj se kjo vjen për shkak se ata ishin ndërmjetësuesit dhe është në interes të ndërmjetësuesit që të dëshmojë sukses, ndonëse është më e rëndësishme se sa i drejtë është ai sukses. Por, këtu nuk është e çuditshme që insiston Bashkimi Evropian edhe për një arsye tjetër. Për shkak se, Bashkimi Evropian nuk mund ta trajtojë Serbinë më keq se sa Kosovën. Kur Mustafa dhe Thaçi thonë se duhet të vazhdojë “Zajednica” tash Bashkimi Evropian nuk mund të dalë më patriot për Republikën e Kosovës se sa vetë krerët qeveritar të Kosovës. Pra, në momentin që Mustafa dhe Thaçi insistojnë në shpërblimin e Serbisë, Bashkimi Evropian veç sa i bashkohet atyre. Në këtë rast nuk është që BE-ja po i prin Mustafës dhe Thaçit. Kur është çështja e Serbisë dhe tendencës për ringjalljen e “Zajednicës” janë këta të dy që po i prin BE-së. BE-ja nuk ka pësuar masakra dhe gjenocid e as shtypje politike dhe shfrytëzim ekonomik prej Serbisë, jemi ne që kemi përjetuar një gjë të tillë. D.m.th jemi ne viktimat e Serbisë. E kur përfaqësuesit kryesor të viktimave të Serbisë janë të gatshëm që Serbisë të ia japin “Zajednicën” në Kosovë, Bashkimi Evropian ndodhet para aktit të kryer dhe kësisoj i bashkohet këtij duetit Mustafa – Thaçi. Edhe njëherë po them se nyja moralgjike janë këta dy persona që të cilët në vitin e ri, 2016 janë politikan tepër të vjetër për të qenë në skenën politike”, thotë Kurti.

Kurti ndalet edhe te marrëveshja e LDK-së me PDK-në, ku parashihet që Hashim Thaçi të bëhet president, duke thënë se ai nuk e meriton por as nuk i takon që të bëhet president i Republikës së Kosovës.

“Besoj se data kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës është bukur e largët kur kemi parasysh kohën intensive që do ta përbëjë janarin e vitit të ardhshëm. Unë tash nuk do të them se çfarë do të bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita e bashkuar kur të vijë ajo ditë por, kur të vijmë tek ajo urë do ta kalojmë edhe atë. U në besoj që Thaçi as nuk e meriton, e as nuk i takon që të bëhet president i Republikës së Kosovës. Ai ka bërë mjaftueshëm dëme si kryeministër dhe si ministër i Punëve të Jashtme, që tash mos të ndodh çmenduria e ardhshme duke e propozuar atë për president”, thotë Kurti për KosovaPress.

Ai shtoi se brenda koalicionit qeveritar ka personalitete të mira por jo ata që vinë në Kuvend dhe përkrahin “Zajednicën”, të cilët thotë se ankohen për tymin e gazit lotsjellës të opozitës së bashkuar, ndërkohë që i frynë zjarrit të Serbisë të quajtur “Zajednicë”.

Lufta e Sirisë dhe pjesëmarrja e shqiptarëve nga Kosova

Krahas shumë problemeve politike dhe ekonomike, Kosova edhe në vitin 2015, është përballur me fenomenin e pjesëmarrjes së qytetarëve të saj në luftën e Sirisë dhe Irakut.

Rreshtimi i shqiptarëve nga Kosova përkrah organizatave të shpallura terroriste, si forcat militante të Shtetit Islamik apo edhe organizatës Al Nusra, ka vazhduar edhe në vitin 2015 gjë që ka paraqitur një shqetësim dhe problem të madh për Kosovën.

Autoritetet e sigurisë dhe të ndjekjes penale në Kosovë, janë duke zhvilluar hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin ndaj më shumë se 110 personave.

Prokuroria e Shtetit, pati deklaruar se “lidhur me statistikat për rastet e terrorizmit, 31 persona gjenden në paraburgim, 21 persona janë nën masën e arrestit shtëpiak, 37 persona në masën alternative, kurse 22 persona janë liruar nga paraburgimi ose masat tjera alternative”.

Sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga shoqëria civile, që nga viti 2012 e deri në 2015, numri i shqiptarëve nga Kosova që u janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, lidhur me këtë fenomen, ka deklaruar se mekanizmat institucionalë të Kosovës, nuk do të lejojnë që cilido grup ekstremist të sfidojë shoqërinë dhe shtetin.

Zonja Jahjaga ka kërkuar nga mekanizmat e sigurisë, por edhe të tjerët që të jenë të vëmendshëm për kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë.

Sipas saj, “përpos rrezikut konvencional, Kosova përballet edhe me kërcënimet e strukturave ekstremiste të akterëve joshtetërorë, të cilët kanë gjetur shtrirje edhe në Kosovë”.

Presidentja e Kosovës, në fjalimin e saj vjetor për vitin 2015 në Kuvendit e Kosovës, ka theksuar se “këtë vit Kosova ka qenë dëshmitarë e përpjekjeve të këtyre rrymave terroriste që të shtrijnë ndikimin e tyre, duke vazhduar rekrutimin e qytetarëve të Kosovës për t’iu bashkuar kauzave të tyre të rrejshme dhe terroriste në Siri dhe në Irak”.

Megjithatë, presidentja e Kosovës, ka theksuar se në vitin 2015 është shënuar një rënie drastike e kosovarëve  që u janë bashkuar rrjeteve terroriste, kjo sipas saj, ka ndodhur falë sensibilizimit për këtë fenomen, por edhe për shkak të vendosmërisë së institucioneve që të veprojnë dhe të mos lejojmë që Kosova të bëhet strehë e terroristëve.

“Nuk mund të lejojmë që vlerat e lirisë dhe të demokracisë të sfidohen nga grupe ekstremiste dhe radikale. Ne nuk mund të shndërrohemi në strehë të asnjë grupi ekstremist dhe prandaj jemi bërë partner global në luftën kundër këtij kërcënimi”.

“Por, beteja jonë është edhe e brendshme, për të ndihmuar të gjithë të rinjtë e të rejat tona, që të mos bien pre e ekstremizmit fetar, duke iu ofruar më shumë mundësi, më shumë shanse në jetë, më shumë arsimim dhe më shumë perspektivë. Ne nuk do të lejojmë grupe ekstremiste të sfidojnë shoqërinë dhe shtetin tonë, nuk do të lejojmë ta godasin Kushtetutën tonë dhe të lëkundin vlerat e diversitetit dhe tolerancën e harmoninë fetare, të ndërtuar me shumë mund brenda shekujve”, ka deklaruar Jahjaga në konferencën vjetore të prokurorëve të Kosovës.

Institucionet e Kosovës, gjatë vitin 2015, kanë miratuar Ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë kanë hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, konsiderojnë se në disa drejtime mekanizmat përkatës janë duke punuar dhe po zbatojnë “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se prej se kur është miratuar strategjia, janë ndërmarrë disa aktivitete.

Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme, ka shpjeguar për veprimet që po ndërmerren nga autoritetet kompetente lidhur me këtë çështje:

“Policia e Kosovës, ani pse ka rol më tepër reaktiv, është marrë me parandalim, edhe para hyrjes në fuqi të strategjisë. Policia ka zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të Bashkësisë Islame. Ata kanë dhënë përkushtimin e tyre, kanë premtuar se nga viti i ardhshëm do të zhvillojnë një numër ligjëratash. Krerët e Bashkësisë Islame, kanë zhvilluar ligjërata me xhematin ku kanë folur për islamin tradicional”.

Policia e Kosovës, ka theksuar se në fushën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, “ka bashkëpunim shumë të ngushtë edhe me institucionet tjera të sigurisë në vend, duke përfshirë edhe institucionet relevante ndërkombëtare në rajon dhe më gjerë”.

Kurse, zyrtarët në Bashkësinë Islame të Kosovës kanë theksuar se duke marrë parasysh që fenomeni i radikalizmit të dhunshëm fetar është bërë problem global, Bashkësia Islame e Kosovës është duke dhënë kontributin e saj në disa rrafshe.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky institucion me kohë ka dhënë dhe po jep rekomandime për këtë çështje.

Në këtë aspekt, mendoj se ka nevojë që të ketë një koordinim mes institucioneve tona, mes Qeverisë, mes të gjitha institucioneve relevante që të arrihet një sukses. Përndryshe, nuk do të thosha se jemi aq shumë të kënaqur me rezultatet, por besoj se një dukuri që ka qenë më shumë prezent para një viti, sot vërehet se është në rënie, falë edhe angazhimit të Bashkësisë Islame”, ka deklaruar Sadriu.

Sipas tij, në drejtim të parandalimit të disa dukurive që kanë të bëjnë me parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, koordinimi ndërmjet bashkësive fetare dhe institucioneve qeveritare, nuk ka qenë i duhuri.

“Nuk dua që t’ia vë fajin dikujt tjetër, por ka pasur një neglizhencë edhe nga institucionet tona në raport me Bashkësinë Islame. Ne kemi vepruar sa kemi pasur mundësi, ndërsa ajo çka nuk ka qenë në kompetencat tona, e kemi pasur të pamundur të veprojmë”.

“Përmenda edhe çështjen e literaturës, këtu është shpërndarë literaturë e pakontrolluar. Nuk janë kompetencat tona, me të cilat ne mund t’i ndalojmë [këto aktivitete]”, është shprehur Sadriu duke shtuar se moszgjidhja e statusit juridik të BIK-ut, po paraqet problem edhe në këtë drejtim.

Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, konsideron se në përgjithësi Kosova mund të merret si shembull i mirë se si i është qasur luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.

“Nëse e shikojmë trendin prej vitit 2012 deri në vitin 2014 dhe nëse i krahasojmë [shifrat] me vitin 2015, atëherë vërehet një rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës për të marrë pjesë si luftëtarë të huaj kryesisht në Siri dhe Irak”.

“Si shoqëri civile, Qeveria dhe mediet në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm që qytetarët e Kosovës të vetëdijesohen pak më shumë se ata persona që marrin pjesë në luftën e Sirisë dhe Irakut, i shkaktojnë më shumë dëme komunitetit mysliman në Siri e Irak, e shumë pak mund t’i ndihmojnë”, tha Perteshi.

Autoritetet e rendit në Kosovë, ka theksuar se janë duke mbikëqyrur “çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë, për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale” dhe se “e gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar”.

Strukturat e dobëta shtetërore në Kosovë, politika e paqëndrueshme, korrupsioni, varfëria, sistemi i dobët ekonomik, janë ndër shkaktarët kryesorë të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në grupe ekstremiste në Siri dhe Irak, kanë konstatuar zyrtarë nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë në Prishtinë, në një raport të publikuar më herët lidhur me përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Mitrovicë – digjet edhe një veturë zyrtare

Sonte në mesnatë është djegur një veturë zyrtare në parkingun e komunës së Mitrovicës, e cila siç shihet në foton e siguruar nga Veriu.info është përfshirë nga zjarri.

Vetura kishte targa 3Z 191 02, por nuk dihet cilit insisutcion i përket, pasi që aty veturat i parkon edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Deri më tash nuk dihet se kush ia ka vënë zjarri veturës.
Ditëve të fundit janë djegur disa vetura zyrtare në të gjitha qendrat e Kosovës, autorët e të cilave veprime nuk janë zbuluar./Veriu.info

Gjykata Speciale pritet të dënojë edhe krimet e kryera pas vitit 2000

Mandati i Gjykatës Speciale mund të zgjerohet dhe nën lupën e prokurorëve mund të jenë edhe krimet e kryera pas vitit 2000 që nuk ndërlidhen vetëm me krimet e pretenduara të luftës që burojnë prej raportit të Senatorit Dick Marty.

Këtë e ka pohuar Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.

“Se si do të rrjedhë, a do të ndalet me periudhën kohore që e ka të limituar deri në fund të vitit 2000 ose do e zgjasë periudhën e veprimit dhe gamën e veprimeve kriminale… Nuk e di se si do të rrjedhin gjërat, por nuk e përjashtoj mundësinë, që edhe në aspektin kohor edhe në aspektin strukturor të krimeve të zgjerohet”, ka thënë Hasani në televizionin publik. “Nuk e përjashtoj mundësinë, por kjo varet se si do të rrjedhë situata dhe varet se çfarë do të jetë roli jonë se a do i qasemi kësaj problematike që po e prekupon vendin vërtetë me veprime konkrete apo do të mbetemi me deklarime verbale, debate në media e kështu më radhë”, ka thënë Hasani më tej.

Sa i përket ndjekjes dhe gjykimit të krimeve të luftës, sipas kryetarit Hasani, nëse dikush ka dështuar në këtë drejtim, atëherë ata janë prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë, të cilët kanë shërbyer në kuadër të ish-UNMIK-ut dhe EULEX-it, pasi kanë pasur kompetenca ekskluzive në këtë fushë.

Gjykata Speciale ende është në proces të krijimit dhe funksionalizimi i saj pritet të bëhet gjatë këtij viti, kur edhe pritet të formalizohen të gjitha procedurat me Holandën, ku pritet të vendoset selia qendrore, për të vazhduar më pas me procedimin e rasteve, ku është përfolur se pjesë e aktakuzave do të jenë ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kryesisht përfshihen në raportin e Senatorit Dick Marty.

Gjuriçi: Në Bruksel do të flitet për Kishën serbe në Kosovë

Në vazhdim të dialogut me Prishtinën në Bruksel që do të mbahet gjatë janarit, Beogradi, siç ka thënë drejtori i Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric do të bëhet përpjekje që të bisedohet për pozitën e serbëve, pasuri dhe trashëgiminë e tyre kulturore por edhe për statutin dhe pronën e Kishës Ortodokse serbe.

Ai në takim me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë ka thënë se Beogradi, siç njofton gazeta serbe “Politika”, transmeton Koha.net, Serbia do të përpiqet që në tryezën e bisedimeve në vitin 2016 t’i nxjerrë temat të cilat, sipas tij, Kosova deri më tash nuk ka dëshiruar t’i bisedojë.

Gjuric i ka ftuar serbët për unitete duke theksuar se po bëhen përpjekje të vështira politike e diplomatike në mënyrë që Asociacioni i Komunave serbe të bëhet më efikas dhe më i fuqishëm.

“Nuk po ju ftoj për unitet dhe për respektim të ndërsjellë në dobi të pluralizmit politik dhe të dinamikës së jetës politike brenda bashkësisë serbe në Kosovë, por për unitet në mbrojtje të interesave tona kombëtare e shtetërore”, ka theksuar Gjuric.

Kosovë, prokuroria speciale akuza ndaj dy të dyshuarve per terrorizëm

PRISHTINË – Arben Livoreka nga Kaçaniku dhe Nexhat Behluli kosovari me nënshtetësi franceze, janë dy personat ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur sot aktakuzë. Ata dyshohet se gati tre vite më parë iu ishin bashkuar organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Arben Livoreka dhe Nexhat Behluli mund të mos njihen me njeri – tjetrin, por pjesëmarrja në organizatën terroriste “Al Nusra” në Siri, i ka bashkuar ata në të njëjtën aktakuzë që u ka ngritur sot Prokuroria Speciale e Kosovës. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale- organizim ose pjesëmarrje në grup terrorist nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Arben Livoreka nga fshati Ivajë i Kaçanikut dyshohet se ka qenë pjesë e këtij grupi për gati një vit, në periudhën kohore nëntor 2013 deri në gusht të 2014-ës, raporton Gazeta Express.

Ndërkaq, Nexhat Behluli është arrestuar në fillim të këtij muaji nga Policia e Kosovës, në Aeroportin e Prishtinës, pasi ishte kapur dhe ekstraduar me aeroplan special nga autoritetet franceze që edhe kishin lëshuar urdhërarrestin ndërkombëtar ndaj tij për pjesëmarrje në luftën në Siri.

30-vjeçari dyshohet se në vitin 2013 kishte qëndruar atje për rreth një muaj, mirëpo për shkak të konflikteve që kanë pasur grupi terrorist Al Nusra me organizatën tjetër terrorist ISIS, ai është kthyer në Kosovë.

Për aktakuzën ndaj tyre ka njoftuar Prokuria e Shtetit e cila ka treguar vetëm inicialet e tyre. Aktakuza tashmë është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda, transmeton Gazeta Express. Aktakuzën e ka ngritur një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë.

2015-shi, vit i mbrapshtë dhe i shëmtuar politik! – Nga FLORIM ZEQA

Sikur është praktikë të thuhet për vitin që e lëmë pas, iku shpejtë dhe rrëshqitshëm! Për qytetarët e vendit tonë, 365 ditët e vitit 2015 ishin vërtetë të rënda dhe të mundimshme, plot thyerje shpirtërore, me rënje dhe degradime të njëpasnjëshme të shtetësisë së Kosovës.
Optimist apo pesimist, çfarë jemi, pak ka rëndësi, janë sondazhet ato që na tregojnë realitetin me renditjen e Kosovës ndër të parat në listat e zeza,… të fundit për zhvillim ekonomik, siguri e mirëqenje qytetare.
Ashtu sikurse viteve të mëparshme, edhe gjatë vitit që po e lëmë pas, lulëzuan krimi dhe korrupsioni, mungoi zhvillimi ekonomik dhe mirëqenja qytetare.
Qytetarët e lodhur nga varfëria dhe denigrimi social, ikjen nga vendi i tyre akoma  e shohin si të vetmin shpëtim për nga ferri i përditshmërisë plotë vuajtje e mjerim!
Sadoqë përpiqemi t’i ikim politikës nuk mundemi, shkaku i politizimit të skajshëm të jetës dhe dallimeve shoqërore të shkaktuara nga politika.
Dallimi në mes politikanëve të pasur e qytetarëve të varfër është tepër i madhë. Janë tavolinat e tyre të mbingarkuara më dollitë e vitit të ri ,….në anën tjetër ato gjysëm të zbrazura të qytetarëve ,…janë shtëpitë e boshatisura të bashkombasve tonë që nuk mundën t’i rezistojnë varfërisë dhe denigrimit social të këtij fundviti !
Mbrendia e jonë na thotë së diçka s’është në rregull. Ecja përpara e vendit tonë është e ngatërruar më ndërskamca, inate personale, më luftë përçarëse për pushtet.
Ashtu siq ndodhë kapërcimi kohor nga një vit në tjetrin, do duhej të ndodhte kapërcimi i politikës nga një gjeneratë në tjetrën. Kalimi prej filozofisë së pasurimit nga shteti, ne filozofinë e dhënjës gjithçka për shtetin, siq ishte në fillim të viteve të ’90-ta.
Në kapërcimin kohor secili në mënyrën e vet bënë analizën e fundvitit, ç’bëra gjatë këtij viti, e çfarë dua të më sjellë viti i ri ? Këto pyetje janë bërë si
refren i çdo fundviti, përgjigjen e të cilave e gjejmë të secili njeri i vendit tonë.
Edhe optimistët më të mëdhenjë nuk mund ta ndjejnë vetën mirë në këtë fundvit, shkaku i dështimeve të mëdha politike, ekonomike, sociale, etj!
Ka arsye të shumta për t’u ndier keq; ishte ky një edhe vit i bllkoadave të gjata dhe gëlltitjeve politike, që si përfundim sollën kombinimin më të keq për të ardhmën politike dhe zhvillimore të vendit.
Sa më parë që kthjellëmi nga agonia e pritjes së gjatë, aq më shpejtë do ta gjejmë rrugën e ecjës përpara, të zgjidhjes së mijëra problemeve. Kjo është e mundur të arrihet vetëm përmes ndryshimeve reale në vend, e jo përmes ndryshimeve si sllogan politik, si mjet për arritjen e qëllimit, të mbajtjës apo marrjes së pushtetit, siq ndodhi gjatë këtyre viteve të paspavarësisë në Kosovë.
Pothuajse çdo gjë është bërë e padurueshme në vendin tonë, siq duket durimit qytetar i ka ardhur fundi nga padrejtësitë dhe prapësitë e shumta politike.
Shteti i ri për dikë është bërë “nënë e për dikë tjetër njerkë” siq thot populli , dikujtë i mundësoi t’i ketë të gjitha të mirat e kësaj bote, e dikujtë tjetër asgjë, Kosova u bë parajsë për pushtetarët dhe u shëndrrua në ferr për qytetarët !
Të rinjët kosovar e kanë të vështirë të gjëjnë motivimin për jetë në atdheun e tyre,…përfundimi i studimeve i gjenë pa shpresa për punësim shkaku i mungesës së zhvillimit ekonomik, nepotizmit dhe familjarizmit qeveritar.
Mirëpo, ne gjeneratat që kemi përjetuar kohërat edhe më të vështira, duhet t’u tregojmë të rinjëve se nuk duhet dorëzuar para të keqës,…me vullnet dhe dashuri njerëzore, me unitet, me bashkim të forcave intelektuale dhe fizike të popullit,  është i mundur të arrihet ndryshimi  pozitiv, i nevojshëm për të ndërruar kursin e politikës aktuale, kalimin nga filozofia e pasurimit nga shteti, ne filozofinë e dhënjës gjithçka për shtetin.
Me mundimet dhe problemet e vitit që po e lëmë pas, do e fillojmë edhe vitin e ri 2016-të. Njerëzit e veshur me pushtet dhe ata që qëndrojnë afër tyre edhe më tutje do të mbushin xhepat me paratë e taksapaguesve të varfër të Kosovës, ndërsa në anën tjetër mijëra shtetas kosovar të shtyer nga varfërisa do të braktisin vendlindjet e tyre !
Nuk mjaftojnë vetëm lutjet për të shuar dëshprimin dhe varfërinë, për t’i dhënë fund ngulfatjes së shtetit nga uzurpatorët.
Me ndryshime reale në sistemin e drejtësisë, me forcimin e ligjit, Kosova mund të bëhet vendi ku qytetari ndëshkon pushtetin kur e keqëpëdor shtetin, e shteti e ndëshkon qytetarin kur e shkelë ligjin.
“Të gjithë bashk kundër të keqës”, ky duhet të jetë sllogani i fuqishëm i bashkimit në luftën për ndryshim, mobilizim i përgjithshëm i popullatës pa dallime partiake, ideologjike apo fetare.
Kjo është mundur me unitet dhe forcë për ndryshime pozitive, me solidaritet, humanizëm dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit ashtu siq e kishim në vitet e krenarisë kombëtare (viteve të ’90-ta).
Të mos mbetemi edhe më tutje robër të politikanëve të papërgjegjshëm, grupeve të interesit,…të mos bëhemi skllevër të kusarëve politik, të atyre që 16 vjet rresht rropën e ç’rropën e gjithë pasurinë e këtij vendi.
Largimi nga vendi nuk është zgjidhja e problemeve, përkundrazi e thellonë akoma më tepër varfërinë dhe denigrimin social, shtonë orekset e pushtetarëve për gllabërimin e mëtutjeshëm të pasurive shoqërore.
Megjithatë, kemi arsye të ngremë dolli e të festojmë, sepse mbrapa po e lëmë një vit të mbrapsht dhe të shëmtuar politik,…GËZUAR.
Zoti e bekoftë vullnetin e qytetarëve të vendit tim !

Mustafa: Nuk jap dorëheqje nga posti, opozita të japë dorëheqje nga gazi e dhuna

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa e ka përjashtuar çdo mundësi që ai të japë dorëheqje pas presioneve të shtuara të opozitës.

Në një konferencë përmbyllëse të punës së Qeverisë së Kosovës për këtë vit, Mustafa deklaroi se qeveria që ai drejton është e ndërtuar mbi bazën e një koalicioni të gjerë që përfaqëson shumicën në Kuvend dhe se opozita, sipas tij, nuk ka të drejtë t’i kërkojë dorëheqjen.

“Mendoj se dorëheqje duhet të jap opozita. Jo dorëheqje nga Kuvendi, por dorëheqje nga dhuna dhe hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend. Duhet të hiqet dorë nga këso veprime, sepse në një vend demokratik askush nuk ka të drejtë të shkelë ligjin dhe që të përdorë armët dhe mjetet e dhunës për të imponuar një vullnet politik”.

“Nuk e kemi ndërmend të japim dorëheqje e as të shkojmë në zgjedhje, sepse zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018. Kemi një koalicion të fortë e stabil”, ka deklaruar Mustafa.

Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Mustafës mbështetet edhe në aktgjykimin e shpallur të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me parimet e marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe.

Aty thuhet se disa parime të kësaj marrëveshjeje nuk janë në tërësi në harmoni me Kushtetutën.

Por, sipas Mustafës, kjo nuk përbën shkelje, ngase palët në dialog, Prishtina, Beogradi dhe ndërmjetësuesi Bashkimi Evropian, janë pajtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë interpretuese e parimeve.

“Suksesi më i madh i kësaj marrëveshjeje është se ka pranuar si Brukseli ashtu edhe Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës të jetë arbitri dhe interpretuesi i Kushtetutës në këtë marrëveshje. Konsideroj që interpretimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese janë shumë të mira dhe kontribuojnë që në vazhdim, gjatë hartimit të statutit çdo gjë të përputhet me Kushtetutën. Marrëveshja nuk është akt juridik, por statuti”, ka theksuar Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për prioritetet e qeverisjes së tij për vitin e ardhshëm.

Ndër tjera, ai ka premtuar edhe vazhdimin e proceseve integruese, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian si dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Tani mbetet vetëm çështje e vullnetit politik të Bashkimit Evropian për të dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Unë kam besim që këtë do ta bëjë dhe po ashtu jam i bindur që ne gjatë vitit 2016 do të arrijmë që të udhëtojmë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë Mustafa.

Kosovën gjatë vitit 2015 e njohën vetëm tri shtete të reja.

Por sipas, kryeministrit Mustafa, tani numri i njohjeve është në nivelin ku nuk priten më seri të një pas njëshme njohjesh.

Kurse prioritet, ka nënvizuar ai, po i kushtohet lobimit te pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, duke veçuar sidomos Greqinë.

Teuta Rugova: Do ta ndjek politikën e Ibrahim Rugovës

E bija e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Teuta, thotë se rrugën e vetme në politikë që do ta ndjekë është ajo e babait të saj

Teuta Rugova, e bija e presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, thotë se në politikë do ta ndjekë vetëm rrugën që e ka ndjekur babai i saj i ndjerë, për të cilën, siç thotë ajo, do të binden të gjithë qytetarët e vendit.

Deputetja më e re e Parlamentit të Kosovës thotë se është ndjenjë e papërshkrueshme kur takon shumë qytetarë, të cilët ende ruajnë kujtime të mira për babanë e saj, presidentin Ibrahim Rugova.

“Është ndjenjë e veçantë kur e shoh respektin që ka populli i Kosovës për babanë tim. Këtë gjë e kam vërejtur gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit qendrore në vend”, thotë deputetja Rugova gjatë një interviste për gazetën “Zëri”.

Arrest shtëpiak për deputetët Glauk Konjufca e Aida Dërguti

Për shkak se nuk e kanë respektuar masën e paraqitjes në stacion policor, të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kjo e fundit sot ka vendosur që ta ndryshoj masën e sigurisë ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Aida Dërguti.

Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate, ka bërë me dije se ndaj të dy deputetëve, sot është ndryshuar masa e sigurisë nga lajmërim në stacion policor në masë të arrestit shtëpiak.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore ka njoftuar se dy deputetët dyshohen për kryerjen e veprës penale të “përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Masa e shqiptuar sot, llogaritet nga data e sotme deri më 14 shkurt të vitit 2016.

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës janë arrestuar më 14 dhjetor, ditë në të cilën ata kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Kosovë: Rreth 200 vetë hetohen për terrorizëm

PRISHTINË – Që nga viti 2013 janë arrestuar mbi 100 persona në Kosovë, për të cilët ekziston dyshimi se janë përfshirë në vepra penale që lidhen me terrorizëm. Sipas Policisë së Kosovës, nga viti 2013 e deri tani policia ka filluar hetime kundër rreth 200 personave të dyshuar për terrorizëm ku procedura penale ndaj të cilëve është në faza të ndryshme.

Këto të shifra i ka dhënë për Gazetën Tribuna, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai ka shtuar se varësisht nga analizat paraprake Policia e Kosovës me qëllim të parandalimin dhe sjelljen e të dyshuarve para organeve të drejtësisë monitoron aktivitetin e personave për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer apo do tentojnë të kryejnë ndonjë vepër penale.

“Policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë bëjnë vlerësime të vazhdueshme lidhur me nivelin e kërcënimit nga çfarëdo aktiviteti kriminal, duke përfshirë edhe kërcënimin nga terrorizmi”, ka thënë Hoxha.

Policia e Kosovës është zotuar se së bashku me institucionet e tjera të vendit është e gatshme që varësisht nga situata të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme me qëllim të parandalimit të çfarëdo lloj kërcënimi ndaj sigurisë së vendit në përgjithësi dhe kundër qytetarëve të saj në veçanti.

Ndërsa numri përafërt i kosovarëve që luftojnë përkrah organizatave terroriste si ISIS dhe Al Nusra është 100 persona.

Gjenerali Kadri Kastrati: Kosova nuk është vend i sigurt, rrezikohet nga sulmet terroriste

PRISHTINË – Gjenerali Kadri Kastrati ka vlerësuar se viti 2015 ka qenë i pasuksessëm për shtetin e Kosovës në aspektin e sigurisë.

Ai ka thënë se sfidë kryesore ka qenë mostransforimi i Forcës së Sigurisë në Forcë të Armatosur dhe sipas tij, as në vitin 2016 nuk pritet që Kosova të bëhet me ushtri.
Problemi më i madh sipas Kastratit, ka qenë shkuarja e të rinjve të Kosovës në ISIS, shkruan Epoka e Re.

Në këtë kontekst, ai ka deklaruar se Kosova nuk është vend i sigurt dhe mund të jetë objekt i sulmeve terroriste për arsye se është vendi i katërt në botë me numrin më të madh të pjesëtarëve në ISIS.

Kastrati ka thënë se Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë duhet t’i rrisin masat e sigurisë dhe duhet të rrisin vigjilencën në çdo aspekt.

Viti i Ri 2016 pa shpëtimtarët e rrejshem?! – Nga Skënder MULLIQI

 

Planifikimet  për pritjen e ndërrimit të moteve bëhën sipas mundësive materjale. Ata që e kanë buxhetin familjar më të pasur sigurisht i kan rezervuar vendet në hotelet më eksluzive të vendit. Dhe, e  elita politike shumë prej tyre   këtë ndrrim të motive e presin   diku  jashta  vendit. Një pjesë  e popullatës  e kan dikend të vetin që punon në botën e jashtme. Ata janë të mirëseardhur për vitin e ri , që tu dalin në ndihmë sado pak familjëve të tyre. Kurse për kategorinë e cila po jeton skajshmerisht dobët nuk ka viti të ri. Për ta i “mjaftueshem” është sigurimi  i një kore buke, në shtëpitë e tyre të prishura ku nuk jetojnë as kafshët. Veq po ndëgjoje nga disa së ata që kan ardhur  nga bota Perëndmore, po ia mësynë  mazgjahut, duke bërë gara së cili do ta blenë posterrmën më të madhe së tjetri. Me rastisi një të afërm duke ndëgjuar se dhëndrri i tij paska ble një pastermë e cila i paska qitë aq shume mish , sa nuk po dika së qka të bëjë me ta. Nuk fola fare , por thashë  më vete  të gjitha fjalët që burojnë nga populli kan taban të fortë ” Se i  pa urituri të uriturit kurrë nuk ia bëson’.

Tjeter.Rreziku më nuk po na vjen nga jashtë, ai kërcënim po na vjen nga mbrenda, nga një klasë politike e cila ka trashëguar shumë elemente të kaluarës  ,  me teke kompremetuese, e  të cilët po peshkojnë në ujëra të turbullta. Rreziku vjen nga ushtrimi i pushtetit politik  të pasuruar pa djersitje, e  të cilët  kan futur në mbikqyrje të rreptë të gjjthë aparatin shtetëror, duke filluar nga ekonomia, organet ekzekutive , gjyqësorinë  etj.Këtë politikë të mbrapsht të instaluar që shumë kohë , këtë politikë represive , këtë politikë dehumanizuese mund tia ndryshon kursin për të mirë vetëm populli, me pjesmarrjen masovike në zgjedhje , duke u bërë kështu  edhe pjesëmarres masovik në jetën politike. Është krijuar aq  mos barazi e madhe ekonomike  e cila nese vazhdon më ketë trend krijon konfliktinë e pashmangshem deri në kryengritje sociale.  Ramja e zhvillimit ekonomik, papunësia enorme, varfëria  janë bërë pengesa madhore të ecjës tonë përpara .Sot, më shumë së kurrë duhet ta ndihmojmë njeri –tjetrin  që tu japim fund këtyre politikave të keqija në këtë vend.Të ndalohën manipulimet  dhe matrapazllëqët . Të ndalohen manipulimet elektorale që na ndodhën para syve tanë.Të ndalohen të gjithë ata që për  të mbetuar sa më gjatë në pushetet, i kan vu në pëshore edhe interesat nacionale. Mos ti votojmë ata që na errësuan të ardhmen tonë. Ti largojmë me votën e lirë të gjitha ata të cilët po na kthjen kohën e mesjetës.Ti kthehet njeriut tonë dinjiteti  dhe ti kthehen vlerat morale  .Të kthehen në binarë  të normlitetit liritë dhe te drejtat  themelore të secilt . Të respektohet liria e shprehjës së lirë  si postulati kryesor i demokracisë dhe pluralizmit .Nuk  na duhen shpëtimtarët e rrejshem të cilët për çdo ditë na servohen në mjetet e informimit. Shqiptarët përjetuan shumë të liga në kohën e diktaturës .

Ishin vite të gjata këto deri sa e pamë dritën e diellit . Duhet ngjallur ndjenjen e sakrificës dhe të  mobilizimit për kapërcimin e ngjarjeve  dramatike në vend.  Grupet avantureske nuk i duhen Kosovës.Nuk i duhet agresiviteti  i shprehur  në Kuvend  dhe jashtë kuvendit. Nuk i duhen qytetarëve njerëzit  pa sens  të mjafteushem politik.Duhet  ngjallur një frymë krjet të re politike, duke i stopuar këtë elitë  në rrugëtimin e plaqkitjës , të korrupcionit e  kriminalitetit .Çdo gjë duhet ndryshuar në formë dhe substanë. Këtë ndërrim motësh , nuk po e presim mirë . Nuk kanë mundësi  shumë fëmijë  të marrin dhurata. Dhurata e tyre është skami, vuajtja, shikimet e ngrysura  që ta ligshtojnë zemrën … Të rinjët tanë secilin edhe këtë vit e kalojnë më shpresën së do ta gjenjë më në fund një vend të punës.Jetojnë më shpresën së një ditë  do të dalim nga  këto ujëra të turbullta … Jetojnë më shpresën së nuk do të kën nevojë ti kalojnë kufijtë  e Kosovës…Popullit  nuk i duhen mashtruesit në pushtet. Ti lutemi Zotit të gjithë së në vitin që po hyjmë, do të na hiqën qafe   shpëtimtarët e rrejshem …


Send this to a friend