Përveq kostos së lartë financiare të inaugurimit në shesh me 8 Prill, çmimi i konseguencave politike të zgjedhjes së Hashim Thaçit president do të jetë afatëgjatë dhe me pasoja politike për vendin.
Nga mbi1000 ftesa të dërguara burrështetasve të vendeve të ndryshme, vetëm dy president ishin pjesëmarrjes në inaugurim, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq dhe ai i Shqipërisë Bujar Nishani, ky fakt në radhë të parë e dëshmon “përkrahjen” që ka Thaqi ne arenën ndërkombëtare dhe pozicionin denigrues të shtetit tonë.
Në ceremoninë e inaugurimit e të parit të shtetit, mungesa e familjeve emblematike të shqiptareve siç është familja Jashari, Haradinaj e të tjerë,…mungesa e flamujve kombëtar në shesh, madje edhe heqja e flamurit kombëtar mbi shtatoren e Skënderbeut janë argumente të fuqishme që flasin më shumë se sa një mijë fjalë !
Ne anën tjetër, kryeqendra e Kosovës me 8 Prill ishte nen masa të një shtetrrethimi policor, ku në çdo rrugë dhe lagje të kryeqytetit ishin të vendosura postblloqe policore, saqë e kishin të vështirë të kalonin andej pari pa u vrejtur edhe qenët endacak,…situatë e cila, padashje mendjen e qytetarit për një moment e kthen në kohën e regjimit diktatorial të Sllobodan Millosheviçit, kur vinin zyrtar të lartë të Serbisë në Kosovë, çdo rrugë dhe lagje e qyteteve mbushej me forca policore dhe ushtarake..
Pamje të tilla të masave policore nuk shifen në shtetet demokratike, që kanë sistem presidencial me rastin e zgjedhjes së presidentëve.
Kosova, përveqse nuk e ka luksin financiar dhe as stabilitetin politik për organizimin e ceremonive kaq të kushtueshme, inaugurimi në shesh i presidentit, ishte krejtësisht i pa nevojshëm dhe praktikë e pazakont për republikat parlamentare.
Ceremonia inauguruese e presidentit, si për nga tingujt e muzikës përcjellëse me rastin e dorëzim-pranimit të kushtetutës së shkelur katërçipërisht, ashtu edhe për nga pamjet e fytyrave të njerëzve prezent në “inaugurim” dhe jasht tij, më tepër i ngjante një ceremonie mortore se sa një kortezie festive, apo siq e quajti ndryshe nje gazetare këtë inaugurim, “Kanagjeqi” i presidentit!
E tëra kjo u bë për të kënaqur egon e vet personale presidenti i (vet)zgjedhur nën masa të jashtëzakonshme në Parlamentin e Kosovës, në një proces me gaz lotsjellës brenda Kuvendit, e me protesta të opozitës dhe qytetarëve në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit,…përderisa kishte edhe deputetë të pushtetit që e bojkotuan procesin e zgjedhjejes së Hashim Thaçit president.
Thaçi erdhi President, vetëm pasi e përçau dhe ndau gjithë spektrin politik shqiptar,…dëshmi e kësaj është fakti se pas zgjedhjeve të fundit nacionale, asnjë nga subjektet politike shqiptare nuk dëshironin të bënin koalicion me të, derisa e shantazhoi liderin e partisë më të madhe opozitare (Isa Mustafën e LDK-së).
Çmimi i zgjedhjes në këtë pozitë i Hashim Thaçit, ka për të qënë tepër i lartë për të ardhmen e Kosovës. Përveq mungesës së mbështetjes ndërkombëtare, Kosovës për pesë vitet e ardhshme do t’i mungoj edhe stabiliteti i brendshëm politik, si një nga parakushtet elementare për zhvillim ekonomik, prosperitet dhe mirëqenje të qytetarëve të vendit tonë.
Vallë deri kur populli do të vuaj nga përmbushjet e egove personale të kusarëve politik, të oligarkëve dhe uzurpatorëve të shtetit…gjarpërinjëve dhe zvarranikëve të vardisur pas pushtetit…deri kur do të veniten shpresat tona?!
Deri atëherë, kur në venat tona rrjedh ujë e jo gjak…deri atëherë, kur ne do të vetëdijësohemi e nuk do ta mallkojmë veten se jemi të “tepërt” në shtetin e Kosovës-Dardaninë antike, duke ikur për t’u tretur drejt vendeve përëndimore.
Pas përmbushjeve të apetiteve politike të Hashim Thaçit, në mos më parë, së largu deri në fund të vitit, pashmangshëm do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, jo për të bërë zgjidhjen e duhur për vendin, por për të realizuar rrokadën politike, të nevojshme për forcimin e pozicioneve pushtetore të klasës së uzurpatorëve politik dhe për qetësimin e një pjese të opozitës së dalldisur për pushtet.
Pas inaugurimit “madhështor” të Thaçit në shesh, akrepat e orës së qeverisjes së LDK-së janë kthyer së llogarituri mbrapsht. Prishja e koalicionit PDK-LDK mbetët çështje ditësh apo javësh, pasi realizimi i qëllimit të PDK-së për katandisjen politike të LDK-së u bë realitet.
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme LDK-ja e Isa Mustafës do të dërgohet në “muzeun” historik të mbeturinave,…përderisa rugovistëve të fjetuer ju mbetët të vazhdojnë së ëndërruari ringjalljen e Rugovës!