Matja e glukozës
Sëmundja e diabetit, e njohur edhe si sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve, përkatësisht sheqernave, yndyrave dhe proteinave.
Për rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, sjellim një material me më shumë hollësi në lidhje me sëmundjen e diabetit, mënyrën e trajtimit dhe kushtet dhe kujdesin që ofrojnë institucionet shëndetësore në Kosovë.
Endokrinologia Venera Berisha – Muharremi thotë se gjatë vitit të kaluar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë trajtuar 789 pacientë të shtrirë me diabet, derisa në ambulancën specialistike kontrollohen deri në 50 pacientë në ditë.
“Diabeti është sëmundje në rritje dhe prevalenca (numri apo përhapja) është si në vendet e rajonit. Numri i saktë i të prekurve me diabet në Kosovë nuk dihet, pasi nuk ka statistika. Trajtimi i kësaj sëmundjeje bëhet me insulinë dhe jemi shumë të kënaqur me furnizim, pasi që tre vjetët e fundit jemi furnizuar me insulinë modern”.
“Për këtë vit, po planifikojmë ta rrisim mundësinë e përdorimit të insulinës modern në 70 për qind. Kërkesa jonë është që në listën esenciale të futen edhe insulina tjera, por edhe barna orale që kanë munguar deri tani”, thotë ajo.
Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, thotë për Radion Evropa e Lirë së pavarësisht se nuk ka statistika të sakta për sëmundjen, janë nxjerrë disa të dhëna për të prekurit me diabet e që trajtohen me insulinë, në mënyrë që furnizimi me këtë ilaç të jetë adekuat.
“Ne, si Ministri e Shëndetësisë, kemi evidentuar mbi 11 mijë njerëz që tashmë trajtohen me insulinë. Por, ky numër nuk është i saktë, pasi që çdo ditë mund të përditësohet. Ka edhe të tjerë që mjekohen me barna orale. Në tregun kosovar të farmaceutikës ka lloje të ndryshme të terapisë që e përmbush nevojën e pacientëve”, deklaron Rrahmani.
Sipas ministrit Rrahmani, kërkesa e endokrinologëve për përditësimin e listës esenciale me barna për sëmundjen e diabetit, do të shqyrtohet dhe do të marrë përgjigje pozitive.
“Nga mjekë të këtij lëmi është kërkuar që në listë esenciale të futen edhe barna të tjera shtesë dhe ne do të mundohemi t’ju përgjigjemi pozitivisht. Sa i përket insulinës, kemi qenë kryesisht të furnizuar, derisa këtë vit herë – herë janë paraqitur probleme për shkak të tenderimit dhe procedurave të zgjatura”, thekson Rrahmani.
Për faktin që sëmundja e diabetit po shënon rritje në nivel botëror, Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas zyrtarit të saj në Kosovë, Sami Uka, bën thirrje për aksion global, për parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje.
“Raporti i parë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i botuar sivjet për diabetin, thotë se në vendet në zhvillim jetojnë mbi 400 milionë njerëz të rritur me diabet. Në Kosovë, nuk ka statistika të sakta lidhur me numrin e të sëmurëve me diabet. Mirëpo, trendi në rritje që ka shënuar katërfishim prej vitin 1950 në botë, nuk ka si të ketë përjashtim për Kosovën”.
“Numri i të sëmurëve me diabet është në rritje, andaj edhe OBSH-ja e ka shpallur diabetin si epidemi, dhe ka thirrur aksion global për luftimin e kësaj sëmundjeje duke përmirësuar të ushqyerit, mënyrën e jetës më aktive, për parandalimin e vdekjes nga kjo kësaj sëmundje”, thotë Uka.
Ndërkaq, Tahire Gjergji, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka bërë të ditur kohë më parë për Radion Evropa e Lirë, se diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, pavarësisht që punohet në parandalimin dhe luftimin e saj.
Një rëndësi të veçantë ajo kërkon që të kihet në raport me shëndetin e fëmijëve, sidomos atyre me mbipeshë, për shkak të rrezikut që mund të ketë për ta edhe paraqitja e diabetit.
“Diabeti ende nuk ka filluar të raportohet si sëmundje, e që është pikë e dobët e punëtorëve shëndetësorë. Instituti Kombëtar punon vazhdimisht për parandalimin e sëmundjes. Në kuadër të parandalimit, instituti bën hulumtime e që shënjestër i ka fëmijët”.
“Në Kosovë vetëm 3 për qind e fëmijëve në shkolla kanë rezultuar me mbipeshë. Po e përmendi këtë shifër pasi që jemi në kohën e duhur për parandalimin e diabetit, e që një ndër shkaktarët, është mbipesha”, ka theksuar Gjergji.
Ndryshe, diabeti, si sëmundje, paraqitet si te të rriturit, po ashtu edhe te fëmijët. Muharrem Avdiu, drejtor i Klinikës së pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se diabeti në Pediatri trajtohet pa ndonjë telash.
“Mund të them se kjo sëmundje nuk është tendencë e trajtimit jashtë vendit, pasi që trajtohet në mënyrë të disiplinuar në premisë shkencore dhe jemi të barabartë me rajonin. Gjithashtu, edhe edukimi lidhur me sëmundjen, është pjesë e rëndësishme dhe pjesë e trajtimit në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”, shpjegon Avdiu.
Ndërkaq, Vjosa Kotori, pediatre, thotë se numri i fëmijëve me diabet është trefishuar krahasuar me pesë vitet paraprake. Sipas saj, çdo vit paraqiten më shumë se 40 raste të reja me diabet.
“Ndonëse në Kosovë nuk kemi statistika të sakta për fëmijët që kanë diabet, ne si qendër terciare, referente për tërë Kosovën, kemi statistikat tona, ku numri i fëmijëve me diabet është mjaft i madh dhe në rritje nga viti në vit”.
“Llojet e diabetit janë ato të tipit 1 dhe 2, ku në moshën fëmijërore dhe adoleshencë paraqitet në një përqindje mjaft të shprehur. Ne nuk e thërrasim sëmundje, por çrregullim, pasi që organizmi sfidohet me prodhim jo të mjaftueshëm të insulinës, ku ky lloj më së shumti paraqitet te fëmijët. Kjo kryesisht vjen si pasojë e peshës së rritur te fëmijët”, thotë Kotori.
Diabeti njihet si sëmundje mjaft e shpeshtë dhe konsiderohet si sëmundja numër tre në botë. Për pasojë, ajo godet edhe disa nga organet vitale të njeriut, si veshkat, zemrën, të pamurit e të tjera.
Ndërsa, trajtimi i diabetit, tashmë është i mundshëm edhe në Kosovë, por tërhiqet vërejtja se ende ka nevojë për një edukim më të mirë të popullatës për të parandaluar sa më tepër këtë çrregullim në organizimin e njeriut.