VOAL

VOAL

Prishtinë: Dy fëmijë humbin jetën aksidentalisht në një gropë të hapur

Foto nga arkivi – Prishtina

Dy fëmijë kanë humbur jetën aksidentalisht në një gropë të hapur në Prishtinë, në lagjen “Kolovica”.

Policia ka konfirmuar se bëhet fjalë për dy fëmijë, një djalë 11 vjeç dhe një femër 13 vjeç, që sipas raportimeve, ishin vëlla e motër.

“Rreth orës 14:00 kemi marrë një informatë se një fëmijë ka rënë në një gropë. Me të dalë në vendin e ngjarjes është bërë e ditur se bëhet fjalë për dy veta”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Vdekjen e fëmijëve e ka konstatuar në vendin e ngjarjes ekipi mjekësor. Policia e ka trajtuar rastin si vdekje aksidentale, kurse hetimet është thënë se do të vazhdojnë për të zbardhur rastin, përfshi edhe kompaninë apo individët që kanë hapur atë gropë e cila ishte mbushur me ujë nga të reshurat e shiut.

Banorët kanë rrëfyer se në këto dtitë me temperatura të larta, fëmijët janë parë duke e shfrytëzuar këtë gropë si “pishinë” për freskim.

Mungon vullneti politik për çështjen e viktimave të dhunës seksuale

Instalacioni “Mendoj për ty”

Ka afro dy vjet që kur një ligj për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës, por i njëjti ende nuk ka filluar të zbatohet, në veçanti kur flitet për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ligji, për herë të parë pas 15 vjetësh, njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë dhe i njëjti është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar që do të përkujdesej për këtë kategori.

Me të, njëkohësisht, u saktësua se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, do të duhej të gëzonin të drejtën e pensionit prej 300 eurosh.

Vonesat e bëra në themelimin e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës gjatë luftës kanë ngjallur reagime të mëdha tek shoqëria civile.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka gatishmëri politike për të vënë në funksion legjislacionin e aprovuar tani dy vite nga Kuvendi i Kosovës.

“Realisht mund të themi se deri më sot janë krijuar të gjitha mundësitë për të krijuar këtë komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, për shkak se legjislacioni sekondar i cili e shtynë të zbatohet ky ligj është aprovuar. Deri më tani mund të themi se vetëm gatishmëria politike e institucioneve të Kosovës ka munguar për të zbatuar njohjen ligjore të viktimave dhunës seksuale gjatë luftës”, ka bërë të ditur Rushti.

Ajo thotë se të gjitha viktimat janë të zhgënjyera dhe të demoralizuara nga vonesat që po i bëhen këtij Komisioni qeveritar.

“Shtyrjet që po bëhen përveç faktit që komisioni është folur dhe përfolur që do të krijohet shumë më herët, po ndikon negativisht në familje dhe tek vetë viktimat, për faktin se po e shohin jo seriozitetin e institucioneve të Kosovës ndaj këtij grupi të ndjeshëm shoqëror”, ka bërë të ditur Rushiti.

Por, zyrtarë të qeverisë thonë se procedurat e shpalljes së konkursit për anëtarët e komisionit qeveritar janë hapur dhe pritet që ai të funksionalizohet së shpejti.

Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sekretariati teknik që merret me këtë çështje është themeluar në kuadër të qeverisë dhe ka një funksion deri në kryerjen e procedurave të konkursit për Komisionin

“Aktualisht mund të konfirmojë se rregullorja për Komisionin për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është miratuar në qeveri, dhe tani jemi në procedura të hapjes së konkursit për anëtarët e këtij komisioni”.

Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u riaktualizua në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për të ndihmuar këtë kategori të shoqërisë krijoi Këshillin Kombëtar të cilin e udhëhoqi.

Fushata sensibilizuese në bashkëpunim me shoqerinë civile ndihmoi në miratimin e Ligjit, i cili ende nuk po gjen zbatim.

Jeta Krasniqi, ish këshilltare e presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ka koordinuar punën e Këshillit Kombëtar të drejtuar nga Jahjaga, tha për Radion Evropa e Lirë se Këshilli ka përfunduar punën në fund të marsit të këitj viti dhe të gjitha proceset, sipas saj, duhet të shtyhen nga institucionet dhe në përgjithësi nga shoqëria.

“Zëri i grave të Kosovës të cilët kanë qenë të dhunuara ka qenë i heshtur. Me formimin e këshillit në atë kohë dhe iniciativën e ish presidentes Jahjaga kjo çështje kishte marrë hov dhe kishte thyer atë heshtje jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit. Kishte munguar edhe njohja ndërkombëtaree kësaj kategorie të dalë nga lufta, pra nuk ishte njohur kjo dhunë seksuale e cila ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Krasniqi.

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përfshirë në një raport të saj cështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës që janë evidentuar në afro 20 vende të botës, por ai nuk e përmend Kosovën.

Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë shumë shpesh kanë fshehur krimin ndaj tyre, për shkak të stigmatizimit nga familja dhe shoqëria. Ky fakt mund edhe të paraqes probleme shtesë në kohën e verifikimit të numrit të saktë të personave të përdhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë kohë më parë kishte biseduar më një nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ajo pati treguar se rastin e saj e kishte fshehur madje edhe nga bashkëshorti i saj.

Ajo ka nevojë për paratë, por që të përfshihet në regjistrin e pensioneve, kishte thënë se do të duhet të detyrohet që fillimisht të “trillojë” diçka për të arsyetuar burimin e parave.

Edhe 17 vjet pas luftës ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por mendohet që numri i tyre të jetë deri në 20.000. (REL)

Kosova ekstradoi në Maqedoni Komandant Sulën e Grupit të Kumanovës

Sulejman Osmani ose i quajtur si Komandant Sula është ekstraduar dje rreth mesditës nga Kosova në Shkup.

55 vjeçari ishte arrestuar në Kosovë në korrik 2015, pas një flet-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Maqedonia si i përfshirë në Grupin e Kumanovës, ku mbetën të vrarë tetë policë.

Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase, shkruan zhurnal.

Osmani për disa mediume deklaroi se kishte arritur të arratiset, pasi ishte dërguar nga policia me helikopter për ta treguar vendin e fshehjes së armëve të grupit të armatosur afër fshatit Gushincë.

Largohuni për të mirën e atdheut e të popullit! – Nga Skënder MULLIQI

  Kjo klasë politike, është klasë që po manipulon më popullin, klasë që theu rregullat e demokracisë, klasë qe e pruni vendin në një kolaps politik dhe në  kolaps ekonomik, klasë politike që vrapon pa pra pas të mirave materjale , klasë politike që e varfëroi popullin…Kur shikon lajmet në televizion , apo kur lexon në gazeta e portale, apo pastime ne fb,   nuk të  lënë aspak  të qetë.Nuk është njeriu i qetë nga rrenat e tyre të mëdha e të vogla së në këtë muaj apo në atë muaj , në këtë vit apo në vitin vijues, Kosova do ta ketë liberalizimin e vizave, e shumë rrena të çdo ditshme së si gjoja do të bëhët mirë, së si situata politike dhe rrjedhat ekonomike janë në ngritje e sipër, e përplot rrena të tjera  irituese. Kjo aq më keq kur po  vien nga zyrtarët më të lartë të shtetit, nga ata që ishte dashur tu besojmë. Unë kërkojë falje nga lexuesit e ndëruar së po merrem edhe kësaj radhe më veprimet e pa mira  të këtij estabilishmenti politik, i cili më së paku ka lidhje më politikbërje. Këta mund të punojnë në ndonjë profesion tjeter , por jo edhe në profesionin e shejtë të politikanit .Opinioni i gjëre public gjithmonë po bombardohet më rrena   të pa fije turpi,  vëtem pse dojnë më çdo kusht të mbesin  në pushtet, për ti vazhduar hajnitë,  manipulimet ,  matrapazllëqet e ndryshme në kurriz të popullit. Këta janë bër aktorë të mirë në skenë , janë bërë mashtrues dhe shtrembërues të realitetit të hidhur më të cilin po përballemi tash e shumë kohë .Këta thua së kan harruar që ka Zot, ose nuk po e din Zotin për Zot! . Për këta nuk po vlen përgjegjësia politike. Nuk po vlen përgjegjësia morale , nuk vlen akti i dorëheqjës…  jo nuk vlen së këta kan instaluar një sistem despotik , krejtësisht përjashtues.  Këta janë shëndrruar ose kanë qenë njerëz të cilët kan ardhur më qëllime të caktuara, për të grumbulluar të gjitha të mirat materjale për vete dhe për njerëzit e caktuar të tyre. Kanë ardhur që rregullisht të manipulojnë më popullin i cili i ka votuar . Turpi nuk ka brirë dhe nuk qelë varrë askënd, thotë një fjalë e popullit. Këta dinë të shantazhojnë dhe kërcënojnë nese pushteti u vihet në rrezik nga kushdo qoftë ai. Për këto grupacione politike të tipit klientelist dhe despotik, nuk ka gazetarë të mirëfilltë , nuk ka intelektualë të  mirë  nese nuk mendojnë më kokat e tyre. Këta janë bërë njerëz të  foteleve , njerëz të cilët  nuk  kan fare taban politik. Janë shëndrruar ose kan qenë njerëz të pa vlerë, pa vetëdije për shtetndërtim dhe të pa vetëdije për vatan. Nese edhe dikush nga ta ka qenë meritor , këtë meritë e kan tretur si fluskë sapuni duke vrapuar pas pasurimit të paligjshem . Atdhetarizmi nuk ka lidhje  me zhvatje dhe më  abuzime karshi pronës shoqërore dhe karshi  shtetit .Duken të mirë për nga pamja e jashtme , por në mbrendi  janë si mollat e kalbura të futura në një  thes. Po paraqiten si do njerëz superior, si njerëz që duhet tu bëson populli, si njerëz   meritor , e nuk e kan asnjërën nga këto tipare .Paraqitjët  e çdo ditshme në mjetet e informacionit public, po ju behën dita- ditës më të zbehta , së pak kush është duke iu bësuar më. Edhe ato media të cilat i keni vu nën kontroll sigurisht së nuk po ju bëjnë më punë , sepse e keqja e ka mundur moti  të mirën . Mos na humbni më kohë , mos na zëni dritën e diellit ,mos na e ngushtoni hapësirën e veprimit…nuk i interesojnë më këtij populli të lodhur broqkullat e juve të pa kripëta…Do të ishte e ndërshme dhe e moralshme që më në fund të largoheni nga pozitat e larta shtetërore që i keni .Do të ishte e mirë që populli të marr më në fund frymë lirshëm, së mjaftë e keni ngulfatur jetën. Sigurisht së këtë edhe e meriton ky popull ,i cili  më ditë , më muaj dhe më  vite  i “duroj”  të gjitha këto të “rëna” nën brez…   

Phillips: Burgjet shndërrohen në universitete për xhihadistët

David Phillips

Kosova duhet të jetë e vetëdijshme që ka “miq të rrejshëm” dhe “Turqia është mike e rrejshme e Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, drejtor i Programit për ndërtimin e paqes në Institutin për studimin e të drejtave të njeriut, në Universitetin e Kolumbisë në New Jork. Ai ka qenë këshilltar në Departamentin e Shtetit dhe ekspert për marrëdhënie të jashtme.

Phillips ka theksuar se Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj, siç ka thënë ai, “nuk është që t’i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë”. Sipas tij, Kosova nuk është e vetëdijshme për një gjë të tillë.

“Jo, sepse në planet afatshkurta ekzistojnë përfitime të drejtpërdrejta nga marrëdhëniet e tilla me Turqinë. Por investimet e Turqisë nuk janë në interesin e Kosovës ,por i shërbejnë interesave të Turqisë.”

“Duhet të kemi kujdes për këtë. Kudo që ekziston zbrazëtira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet ta plotësojnë atë. Institucionet ndërkombëtare duhet të përfshihen dhe janë të nevojshme kontaktet më të forta ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe të atyre nga vendet perëndimore”, ka thënë Phillips.

Duke folur për ekstremizmin e dhunshëm, ai ka theksuar se është e pamundur që ai të çrrënjoset vetëm përmes masave të sigurisë. Por, sipas tij, për një gjë të tillë nevojitet, siç e ka quajtur ai, “pushteti i butë”.

“Kjo përfshin arsimimin, vende të reja pune, zhvillimin ekonomik, bashkëpunim të shoqërisë në nivelin lokal, në mënyrë që të rinjtë të binden se kanë të ardhme në qoftë se përkushtohen ndaj strategjive që do t’i avancojnë. Mund të bëhet shumëçka. Radikalizmi është pjesë e problemit të madh që ekziston në Kosovë dhe kjo është dëshpëruese”, ka theksuar Phillips.

Sipas tij, masat e sigurisë nuk janë zëvendësuese të shpresës që duhet t’u ofrohet njerëzve.

“Atë shpresë duhet ta ofrojnë autoritetet e Kosovës. I dimë statistikat për papunësinë. Të rinjtë janë të dëshpëruar. Janë të dëshpëruar me liderët politik dhe me krimin e përhapur dhe korrupsionin në qeveri. Qeveria e Kosovës duhet të reagojë, që t’i inspirojë njerëzit dhe që t’u jepet shpresa për një të ardhme më të mirë. Po ta kishin të rinjtë këtë nuk do t’i ktheheshin islamit radikal”, konsideron Phillips.

Ai thotë se në vendin ku nacionalizmi gjithmonë ka qenë ndjenjë mjaft e fuqishme, është brengosës fakti që tashmë islamizmi është i përhapur ndër të rinjtë.

Sipas tij, luftëtarët që kthehen nga vend-luftimet e huaja paraqesin rrezik të veçantë për shoqërinë dhe siç thotë ai, për ta nevojitet program i posaçëm për integrimin e sërishëm në shoqëri.

“Burgjet janë problematike, për shkak se në burgje njerëzit i krijojnë kontaktet me ekstremistët e dhunshëm. Në këtë mënyrë, burgjet shndërrohen në një lloj universiteti për xhihadistët. Burgosja nuk është përgjigje ndaj kësaj. Këtë e kemi parë në Guantanamo në Kubë, si dhe në qendrat ndëshkuese në Irak dhe Afganistan. Ajo që nevojitet është që njerëzve t’iu ofrohet shpresa për të ardhmen, shkathtësitë dhe mundësitë ekonomike, në mënyrë që ta kenë ndjenjën se mund të bëjnë diçka me jetën e tyre, në vend se t’i kthehen ekstremizmit fetar”, theksoi Phillips.

Ai ka shtuar se fenomeni i ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit është problem global dhe si i tillë ai paraqitet edhe në Kosovë, në rajon, Evropë dhe në gjithë botën. Nisur nga ky fakt, sipas tij, nuk është e drejtë që Kosova të veçohet si vendi numër një që për kokë banori i ka kontribuuar më së shumti me luftëtarë të ashtuquajturit Shteti Islamik. (REL)

FSK pezullon togerin Sekiraqa – abuzoi seksualisht me të miturën në SHBA

PRISHTINË – Zyrtarë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se një pjesëtar i kësaj Force është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dyshimin për abuzim seksual me një të mitur.

Zëdhënësi i FSK-së, Ibrahim Shala, tha se togeri Ismajl Sekiraqa, që ndodhej në trajnim në SHBA, është arrestuar për veprën e abuzimit seksual

“Mund të konfirmoj se është arrestuar në SHBA dhe është nën hetime për abuzim seksual me një të mitur. Ai ka qenë në një trajnim për oficer për mbrojtje kimike,atomike dhe biologjike. Ai ka qenë duke ndjekur në Amerikë një kurs bazik katër mujor në këtë lëmi”, ka thënë Shala.

Shala tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka pezulluar nga puna togerin Sekiraqa, derisa veprimet tjera pritet të ndërmerren pasi që të përfundojnë hetimet qe po zhvillohen ndaj tij.

Dialogu Kosovë-Serbi drejt një formati të ri

Bruksel, 25 gusht 2015, pala kosovare dhe ajo serbe

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, praktikisht është pezulluar për një fazë të gjatë dhe tashmë ekzistojnë edhe sinjale se Bashkimi Evropian do ta ndryshojë qasjen ndaj këtij dialogu, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, dialogu ka bërë një pushim të gjatë, për tri arsye: mënyra e menaxhimit të këtij dialogu nga pala e Kosovës, si dhe krizën politike që prodhoi dialogu brenda vendit; pauza e gjatë zgjedhore dhe taktike e Serbisë; si dhe nevoja për rivlerësimin e dialogut të deritashëm nga ana e Bashkimit Evropian, për të krijuar mundësinë e një qasjeje të re ndaj dialogut.

Naim Rashiti, analist i Grupit Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e Lirë vlerëson se dialogu, në fazën e tanishme, ka degraduar shumë dhe e ka krahasuar atë me një anije plot vrima, e cila është para fundosjes.

“Është keq menaxhuar. Nuk është menaxhuar nga BE-ja. Ka devijuar nga përgjegjësia e saj si ndërmjetësuese dhe garantuese. Në të njëjtën kohë, nuk është menaxhuar mirë nga Prishtina, politikisht. Beogradi, gjatë periudhës zgjedhore, për çdo detaj të vogël kërkon pauzë, ndërkaq BE-ja ia ofron atë.”

“Beogradi ka krijuar edhe rrethana të reja, siç është rasti me ndërtimet jolegale në veri. Prandaj, është marrë vendim që dialogu të rishikohet, të analizohet dhe të krijohet një platformë e re nga ana e lehtësuesit. Konsultimet po vazhdojnë dhe besoj që edhe presidenti (Hashim Thaçi) është mu për këtë sot atje, në Bruksel”, thotë Rashiti.

Ai ka shtuar se ekzistojnë informacione që ka pajtim ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian se nuk mund të flitet për tema të reja, pa u zbatuar marrëveshjet e arritura në dialogun e deritashëm.

Dren Doli, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Serbia tashmë ka dërguar sinjale se nuk ka ndonjë vullnet të shprehur për të rifilluar dialogun me Kosovën.

“Sipas vlerësimeve që janë thënë edhe publikisht nga kryeministri i Serbisë, Vuçiq, interesi i Serbisë nuk është që të hyjë në dialog me Kosovën pa marrë konfirmim të qartë që vazhdimi i dialogut me Kosovën do t’i njeh Serbisë një dritë të gjelbër për fillimin e negociatave në kapitujt e veçantë për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thotë Doli.

Ndërkaq, analisti Rashiti vlerëson se faza e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun e deritashëm nuk do ta garantojë suksesin e dialogut në përgjithësi, për faktin se Serbia po kërkon që dialogu të ketë qasje tjetër, që marrëveshjet të arrihen në paketë dhe që ato më pas kushtëzohen njëra me tjetrën. Shembull për këtë, sipas tij, është edhe marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në anën tjetër, sipas tij, edhe Kosova, duhet ta ndryshojë qasjen ndaj këtij dialogu.

“Nuk shoh që qeveria e Prishtinës mund ta avancojë dialogun pa një qasje të re të konsensusit politik brenda Kuvendit të Kosovës, pa një platformë më të konsoliduar dhe të përbashkët me subjektet tjera, pa një mekanizëm të ri. Por, në të njëjtën kohë, nuk shoh zhbllokim të zbatimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë. Do të thotë, nuk shoh shthurje të këtyre kushtëzimeve që kanë të bëjnë me gjithçka, sepse për gjithçka ka vënë kusht me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”, thotë Doli.

Analisti Doli po ashtu shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës nuk duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë pa arritur brenda vendit një konsensus nacional për mënyrën se si do t’i qaset këtij dialogu dhe qëndrimet që duhet t’i mbajë në këtë dialog. Gjithashtu, sipas tij, Qeveria e Kosovës e ka obligim që çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ta ndërtoj ashtu sikurse është përcaktuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Duke marrë parasysh kërkesën e dytë, unë besoj që dialogu Kosovë-Serbi do të mund të sillet më shumë rreth çështjes së Asociacionit, për shkak të interesit që Serbia ka ndaj këtij Asociacioni. Kjo nënkupton që Qeveria e Kosovës duhet që, në fazat e ardhshme të dialogut Kosovë-Serbi, të tentojë të prezantoj qëndrimet e saj si pjesë e një qëndrimi unitar politik të Kosovës dhe jo vetëm si qëndrime, të cilat janë një koalicioni qeverisës dhe të cilat mund të lëvizin kurdo që shihet e arsyeshme”, shprehet Doli.

Sido që të jetë, Qeveria e Kosovës e ka fajësuar Serbinë për, siç është thënë, “bllokim të zbatimit të marrëveshjeve të arritura” në kuadër të dialogut të zhvilluar në Bruksel, “duke mos ndërmarrë asnjë hap në drejtim të përmbushjes së obligimeve të saj”. (REL)

Katër policë sulmohen fizikisht nga gjashtë serbë në Pejë

Katër zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi nga gjashtë pasagjerë.

Siç njofton Policia e Kosovës, të dyshuarit janë shtetas serbë, dhe se të njëjtit gjatë kontrollit të dokumentacionit kanë qenë nën ndikimin e alkoolit me ç‘rast kanë fyer zyrtarët policorë e më pas i kanë sulmuar.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Pejë, teksa njësiti policor në një pikë kontrolli ka ndaluar veturën Audi me targa të Serbisë.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Mogherini i kërkon Thaçit miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, 21 qershor 2016

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini ka kërkuar nga Kosova që sa më parë të përmbushë edhe “kriterin e fundi për liberalizmin e vizave, miratimin emarrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”.

Këtë komente Mogherini, citohet t’i ketë bërë gjatë një takimi që ka zhvilluar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në Bruksel.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra për komunikim e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, thuhet se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, është shprehur se “Kosova duhet të jetë optimiste për vendimin për liberalizimin e vizave”.

Presidenti Thaci, thuhet në kumtesë, e ka informuar përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Mogherini, “për të arriturat e Kosovës dhe për përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet në rajon”.

Ndërkaq, duke folur për procesin e vizave, Presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova tani pret një vendim meritor”.

Presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini kanë biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se duhet të vazhdojë dhe se “të gjitha vendet e rajonit duhet të mbeten të përkushtuara për ndërtimin e bashkëpunimit të sinqertë me njëri-tjetrin”.

Presidenti Thaçi, ka takuar sot gjatë ditës edhe Presidentin e Parlamentit Evropian, në kuadër të një vizite në institucionet e BE-së.

Vazhdon lirimi i lokaleve të shitura e të uzurpuara në Prishtinë

Foto nga arkivi

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve të kryera dhe grumbullimit të provave materiale, kanë zhvilluar sot një aksion për lirimin e lokaleve të shitura e të uzurpuara.

Aksioni është realizuar në dy lokacione, njëri tek Zonën Industriale në Prishtinë dhe tjetri në rrugën Haxhi Zeka në Prishtinë.

Operacioni është realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku janë liruar lokalet afariste, të uzurpuara në mënyrë të kundërligjshme.

Këto prona të cilat kanë qenë të uzurpuara deri më tani, me urdhër të gjykatës kompetente i janë nënshtruar procesit të sekuestrimit.

Prokuroria Themelore, Departamenti i Përgjithshëm, pas përfundimit të hetimeve ndaj të dyshuarve do të ngrit akuzë për veprën penal “uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme”.

Kosova e veteranëve dhe akademikëve të rremë – Nga Sali Bytyçi

Para disa ditësh më erdhi për vizitë një nip nga fshati dhe, bisedë pas bisede, arritëm deri te listat e veteranëve. “M… u bë puna”, u shpreh nipi, kur e pyeta si ka vajtur procesi i listave të veteranëve në rrethin tonë. “E di rastin e N.N., i cili për të mos dhënë rojë gjatë luftës, se kishte frikë, i dha 500 DM? Tani i ka dhënë 2500 euro dhe ka hyrë në listën e veteranëve”! Po kështu kishte ndodhur edhe me mjekun, i cili gjatë kohës së bombardimeve ishte strehuar në fshatin tim, por që u kishte thënë të zotëve të shtëpisë ku ishte strehuar, të mos tregojnë që është aty, se pastaj i del problem t’i kontrollojë të sëmurët!!! Tani i kishin dhënë edhe atij certifikatën e veteranit luftëtar. Ndërsa sanitetit që kishte lidhur plagët e të plagosurve apo i kishte varrosur të vrarët, i kishin dhënë certifikatën e pjesëmarrësit.

“Në lista të veteranëve janë futur me të madhe dezertorët e luftës, njerëz që nuk kishin të bënin fare me luftën, po edhe të tillë të cilët gjatë luftës ishin 7-vjeçar!”, vazhdoi nipi të më thoshte.

Të them të drejtën, kur i dëgjova këto u nervozova jo pak.

Si është e mundur që një njeri, për të cilin të gjithë e dinë që ka paguar 500 DM për të mos u bërë ushtar i UÇK-së, tani të figurojë në listat e veteranëve?! Pastaj për mjekun e pafytyrë, i cili nuk u kishte ofruar ndihmë jo vetëm ushtarëve të UÇK-së, po as të sëmurëve, të jepej certifikata e veteranit luftëtar?!

Po, pas pak, filloi të më bjerë tensioni dhe, për të gjitha këto, mendova me gjakftohtësi. Fundi fundit, jo vetëm të nervozohem, po edhe nëse plas unë, punët do të shkojnë kështu, siç kanë shkuar deri më tani. Bile edhe me këtë shkrim që po e bëj, prapë vetëm sa humbas kohën time, se njerëzit në Kosovë janë bërë njësoj: s’e prish terezinë kush, pa marrë parasysh se çfarë ndodh këtu!

Me këtë rast duhet të cek se, siç jam i bindur që e kanë tepruar krijuesit e listave të veteranëve duke dyfishuar e trefishuar numrin, jam i bindur edhe se jo të gjithë ata që kanë hyrë në lista të veteranëve përfitojnë materialisht, por se një pjesë i kanë futur aty për t’i sajdisur njerëzit e vet, pra për t’iu dhënë rytbe jo të merituara.

 

Kujt iu dha mundësia, keqpërdori sa mundi

Mendoj që Kosova, në këtë dekadë e gjysmë pas shkëputjes nga Serbia, ka funksionuar jo sipas normave ligjore, po sipas vullnetit të njerëzve, të cilët kryesisht ishin të papërgjegjshëm. Dhe, në vendin ku vendosin njerëzit e papërgjegjshëm, aty ku nuk funksionon ligji, aty ku nuk ka mbetur asnjë shenjë e vogël e etikës, mund të ndodhin gjëra nga më të çuditshmet.

Pyetja e parë që i bëra vetes, pasi fillova të qetësohem, ishte: Cili komision, bord apo quaje si të duash, në këtë një dekadë e gjysmë në Kosovë, e kreu punën më me nder se Komisioni për verifikimin e listave të veteranëve?

P.sh. Në Trustin Pensional të Kosovës, ata që janë aty, i kanë ndarë dhe i ndajnë pagat për vete sipas vullnetit që kishin dhe kanë;

Në komuna, kanë ndarë dhe ndajnë banesa për të punësuarit aty, sikur komunat të jenë pronë private, po ashtu sipas vullnetit politik e klanor;

Në KEK, Postë-Telekom, Aeroport etj., i kanë punësuar njerëzit sipas vullnetit, po ashtu politik e klanor, që kishin;

Në Drejtësi, para disa vitesh, pothuaj të gjitha lëndët në të cilat punonjësit e Drejtësisë: avokatë, gjyqtarë, prokurorë, akuzoheshin për vepra nga më të ndryshmet, i hodhën në koshin e plehrave;

Keqpërdoruesit e tre përqindëshit nuk kanë dhënë as japin llogari për milionat e keqpërdorur;

Keqpërdoruesit e Fondit “Vendlindja thërret” nuk kanë dhënë as japin llogari për paratë që i morën (shtinë në xhepat e vet).

Kanë privatizuar pasurinë e Republikës së Kosovës siç ua ka dashur qejfi dhe interesi i vet!

Pra, gjithkund ku kanë pasur mundësi, komisionet, bordet, quaji si të duash, kanë vepruar sipas vullnetit të vet, pa u mbështetur në ndonjë ligj, ose i kanë vërtitur ligjet sipas vullnetit të vet. Ndaj, nëse duhet të jepet llogari për keqpërdorimet që i kanë bërë në punën e tyre, kur i hartuan këto lista veteranët, sipas radhës, ata duhet të jenë të fundit.

Po unë, me këtë rast, do të ndalem pak te “listat” në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që konsiderohet institucioni më i lartë shkencor dhe kulturor i Republikës së Kosovës, si krijohen ato.

 

Si funksionojnë Seksionet dhe Kuvendi i Akademisë?

Për të kuptuar si funksionojnë Seksionet dhe Kuvendi i Akademisë, të shohim kush është futur në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës viteve të fundit.

Në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si shkencëtar i Historisë para disa vitesh është pranuar Jusuf Bajraktari.

Çfarë ka bërë Jusuf Bajraktari për shkencën e historisë?

Jusuf Bajraktari gjatë jetës së tij “historike” ka botuar një libër: “Gjakova me rrethinë në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX (1878-1912)” (mbrojtur si tezë disertacioni më 1985 dhe botuar më 1998, në kohën kur kishte filluar lufta në Kosovë).

Pasi ka shkruar këtë libër me 34 vjet “histori” të Gjakovës me rrethinë, Jusuf Bajraktari që gjysmë shekulli ka jetuar me të gjitha privilegjet që mund t’i ketë një njeri: të gjithë titujt e mundshëm akademikë që mund të marrë një njeri i ka marrë, pagën e rregullt e ka marrë, drejtor i Institutit të Historisë (ka qenë një kohë të gjatë) është bërë!

Banesë a ka marrë a jo, nuk e di.

Pra, vetëm për një libër që ka shkruar për Gjakovën me rrethinë ka marrë pagë dhe privilegje deri në pension, po për këtë libër ka marrë edhe honorarin nga Instituti i Historisë! Megjithatë, kjo ishte pak për të, ndaj Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe, pastaj, Kuvendi i Akademisë për këtë histori të Gjakovës me rrethinë ka vlerësuar që Jusuf Bajraktari duhet të hyjë në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të paguhet në muaj rreth 1500 euro, po edhe pas vdekjes, sipas Rregullores, edhe gjashtë muaj familjes së tij t’i shkojnë në xhirollogari 6 paga të larta akademike!

Këto të gjitha pa bërë as edhe një vijë të zezë mbi të bardhë. Po nëse rastësisht i teket Jusuf Bajraktarit të bëjë një vijë të zezë në faqe të bardhë, ai merr honorar ekstra!

Për këtë, pas Seksionit të Shkencave Shoqërore, ka vendosur Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Rasti i dytë është ai i Mehmet Halimit.

Se është marrë me mbledhjen e ninananave, pastaj me mbledhjen e shprehjeve popullore dhe pak para se të dalë në pension ka doktoruar me monografinë “E folmja e Karadakut”, Mehmet Halimi gjatë gjithë jetës së tij ka marrë pagë të rregullt, po ashtu për veprat që ia ka botuar Instituti Albanologjik ka marrë edhe honorarin! Po organet përkatëse të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës këto i ka parë të pamjaftueshme për Mehmet Halimin, prandaj ia vazhdoi privilegjet njësoj si të lartpërmendurit, Jusuf Bajraktarit, pra e pranoi akademik.

Rasti tjetër është ai i Zejnullah Rrahmanit.

Në vitin 1985 ka doktoruar me një monografi me një titull paksa të çuditshëm “Nga teoria e letërsisë shqipe” (botuar më 1986). Gjatë gjithë jetës së tij pagë ka marrë si ligjërues në Fakultetin e Filologjisë (dikur Fakulteti Filozofik), po ligjërimi i tij ishte leximi i vazhdueshëm i disa fletëve të nxirosura, ndërsa studentët duhej të mbanin shënime. Në vitet ’90, gjatë kohës sa ishte dekan i Fakultetit Filologjik, u shkrua në shtyp se mbi 100 000 DM kanë humbur pa shenjë dhe pa dokë, por ky kurrë nuk dha llogari për to! Në këtë kohë, vitet ’90, ka botuar një libër me titull “Teoria e letërsisë” (1986), po ky libër është shumë larg nga të qenët tekst mësimor, sepse  është përmbledhje e ligjëratave të tij të dobëta, të bazuara kryesisht në teorinë e letërsisë së Milivoj Solarit, të përkthyer (në fakt: të sakatosur) në shqip nga Ali Aliu, asgjë më shumë. Në vitet 2000 e këndej ka botuar rreth 10 libra “teorike letrare”, të cilat janë kryesisht kompilime prej librave në gjuhë të huaja, jo rrallë të përkthyera me Google Translate.

Se sa është shkencëtar ky, lexuesi më mirë e kupton po të lexojë librin e tij të vetëm për letërsinë shqipe (pas tezës së disertacionit), në të cilin e “studion” romanin “Malësorja” të vëllait të tij, Nazmi Rrahmanit. Përveç përflitjes së subjektit të romanit të Nazmi Rrahmanit dhe dhënies së mendimeve subjektive, pra shfryrjeve të herëpashershme ndaj popullit shqiptar, asgjë shkencore nuk ka në këtë libër!

Në Akademi është edhe Ali Aliu, bile në tri akademi (të Prishtinës, të Shkupit dhe të Tiranës)! Aq sa gjendet ar në një grumbull dhe, po aq gjendet shkencë në veprat e tij fund e krye eseistike. “Poezia e filan poeti është maja e poezisë shqipe”; “Poeti N.N. është maja e majave të poezisë shqipe etj.”, kjo është shkenca që ka bërë Ali Aliu në artikujt e tij për letërsinë shqipe, apo që të gjithë shkrimtarët shqiptarë i quan Don Kishotë! Kështu, majë pas maje, u gjend në Akademi!

Se gjatë gjithë jetës së tij është marrë me statistika, Hivzi Islami është në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Çfarë shkence përbëjnë statistikat, që i ka marrë nga institucionet përkatëse, për të cilat Hivzi Islami është bërë akademik, po edhe kryetar i Akademisë së Shkencave, madje në dy mandate?! Marrja me statistika, po për të cilat gjatë gjithë jetës së tij si profesor ka marrë pagë të rregullt, i ka dhënë argument Seksionit përkatës dhe pastaj Kuvendit të Akademisë ta pranojë si akademik!

Çfarë shkence ka bërë Isa Mustafa që është pranuar në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Librat mësimorë, edhe nëse janë universitarë, për të cilët gjatë gjithë jetës Isa Mustafa ka marrë pagë, po edhe honorarë, çfarë shkence përbëjnë?! Pasi u zgjodh anëtar korrespondent në vitin 2008, duke qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës (kjo përbën konflikt të pastër interesi!), u avancua në anëtar të rregullt katër vjet më vonë, në kohën kur krahas postit të njeriut të parë të kryeqytetit, ishte edhe kryetar i partisë të cilën e drejton edhe sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në këtë shkrim nuk i përmenda edhe disa “akademikë” të tjerë, si Sali Gashi, Luan Mulliqi etj., emrat e të cilëve nuk thonë gjë, sepse janë më tepër personifikime të qenieve anonime; pra nuk meritojnë as të përmenden fare!

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka paraparë të gjitha privilegjet për anëtarët e saj, bile edhe pasi të vdesin, por nuk e ka paraparë plagjiaturën. Kjo Akademi që nuk i parasheh sanksionet, privilegjet po! Sa herë duhet të argumentohet plagjiatura e Sabri Hamitit?! Sabri Hamiti vazhdon të jetë anëtar i Akademisë, ndërsa për veprat në të cilat ka jo pak plagjiaturë, ka marrë honorar të majmë, si dhe çmime kombëtare në Shqipëri!

Nexhat Daci e Rexhep Ismajli, të dy akademikë, i kanë lënë pasardhësit në vendet ku kanë punuar, pra vajzat e tyre; i pari në Degën e fakultetit ku ka punuar, i dyti në Fakultetin ku ka punuar.

Në Fjalorin Enciklopedik, i cili është në përgatitje nga kjo Akademi, janë paraparë të jenë zëra të veçantë anëtarët e familjeve të të quajturve akademikë. Pasi i kanë siguruar vendin vetes si akademikë, tani në fjalorë i fusin anëtarët e tyre, po ndonjëri si Rexhep Ismajli, fut edhe mësuesin e shkollës së mesme, si dhe vajzën e tij!

Pasi në Ligj kanë “harruar” ta sanksionojnë plagjiaturën (hajninë intelektuale), nuk e kanë harruar një nen sipas të cilit seksionet e Akademisë mund të propozojnë individë për t’i pranuar në Akademi (këta edhe janë më të sigurtët që hyjnë në Akademi, sepse propozohen nga ata që janë aty!), ndërkaq në Projektligjin e fundit kanë futur një nen sipas të cilit personat mbi 65 vjet nuk kanë fare të drejtë të propozohen për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës! Pra, pasi i kanë futur njerëzit e vet mbi këtë moshë, tani ua pamundësojnë “të tjerëve”, që kanë këtë moshë, edhe pse të padëshirueshmit e tyre edhe ashtu i kanë dyert e mbyllura nga kjo akademi, edhe po të jenë gjeni! Por, fodullëku i tyre grotesk, as që denjon të merret me lëndët e të padëshirueshmëve, në fund të fundit për t’i hedhur në koshin e plehrave!

 

Nuk ndodhin askund në botë

A ka dëgjuar dikush që ka një vend në botë, në të cilin njeriu që ka shkruar një libër për historinë e një qyteti (në fakt Gjakova në atë kohë ishte një qytezë) me rrethinë për një periudhë 34-vjeçare, të bëhet akademik?!

A ka dëgjuar dikush që ekziston një vend në botë në të cilin njeriu që ka shkruar libra për të folmen e rrethit të vet, i cili pak para pensionimit mezi arrin ta kryejë doktoratën, po për të folmet e rrethit të vet, si shpërblim t’i jepet titulli: akademik?!

A ka dëgjuar dikush që ka një vend në botë që njeriu i cili gjatë gjithë jetës së tij është marrë me statistika, edhe ato të marra të gatshme nga institucionet përkatëse, ta bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave?!

A ka dëgjuar dikush që ekziston një vend në botë në të cilin njeriu i cili ka botuar libra “teorikë”, të gjitha kompilime të dobëta nga gjuhët e huaja, siç është rasti i Zejnullah Rrahmanit, pra kompilime nga njeriu i cili së pari nuk e njeh as gjuhën e vet, e i cili në krejt veprën e tij “teorike letrare”, origjinale i ka vetëm fyerjet që i bën popullit të vet, ndërsa të tjerat nga A-Zh kompilime, njeriu i cili në vitet ‘90 ishte kryefjalë e një skandali, për të cilin nuk ka dhënë llogari kurrë, i cili si vëlla i Nazmi Rrahmanit ka hyrë asistent në Fakultetin e Filologjisë, që ka doktoruar me një libër me titull absurd: “Nga teoritë e letërsisë shqipe”, po që gjatë gjithë jetës së vet si ligjërues, i hap disa fletë dhe u ligjëron studentëve duke lexuar, ndërsa në fund të shpërblehet me titullin: akademik?!

A ka dëgjuar dikush që një institucion i cili financohet nga shteti të ketë në Rregulloren e tij një nen me të cilin u jep të drejtë seksioneve të veta, të përzgjedhin për ta pranuar personin që duan vetë, siç e ka Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës?!

 

Në fund

Të kthehemi edhe një herë te bashkëvendësi im i cili gjatë kohë së luftës i dha 500 DM që të mos hynte në radhët e UÇK-së, po që tani gjendet në listat e veteranëve luftëtarë të UÇK-së dhe te anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Më veteran është bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën apo këta akademikë me nga një libër për rrethin e tyre, për të folmet e rrethit të tyre, apo me statistika e kompilime librash të huaj?

Kush është më meritor: bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën e UÇK-së apo Jusuf Bajraktari për shkencën e Historisë me një libër për Gjakovën me rrethinë?

Nëse mund të jetë anëtar i akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari që ka shkruar një libër për Gjakovën me rrethinë, për të cilën gjatë gjithë jetës së tij është paguar, po në të cilën nuk ka aspak shkencë, pse të mos jetë në Listën e veteranëve luftëtarë bashkëvendësi im që i ka dhënë 500 DM UÇK-së, me të cilët UÇK-ja ka mundur të blejë së paku 500 plumba, me të cilët edhe nëse nuk e ka vrarë asnjë armik, së paku ka dhënë alarmin që këtu është një popull i cili padrejtësisht sundohet nga Serbia?! Në fund të kësaj, puna e UÇK-së, edhe me 500 DM-të e këtij bashkëvendësit tim, ka rezultuar me sukses, pra Serbia është larguar nga Kosova deri në Urë të Ibrit, por, të më thotë dikush, çfarë i solli Jusuf Bajraktari shkencës së historisë me librin për Gjakovën me rrethinë?

Bashkëvendësi im, përveç 500 DM-ve, asgjë po qe se nuk ka bërë, së paku ka ikur prej serbëve, po Jusuf Bajraktari jo që nuk është marrë me shkencë kurrë, por as ka pasur rastin të ikë nga ajo, sepse kurrë nuk është takuar me të!

Nëse Mehmet Halimi për librat me të folme dhe me ninanana ka të drejtë të jetë anëtar i Akademisë së Shkencave, përse nuk ka të drejtë të jetë veteran bashkëvendësi im?!

Nëse akademikët fusin në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës pa asnjë kriter: shokë, miq, bashkëpartiakë, bashkëklanorë; futin në Fjalorin Enciklopedik familjarët e tyre, po edhe ish-mësuesit; e vërtitin ligjin sipas interesave të tyre të ngushta, përse u dashka që komandantë me gjysmëshkolla apo pa shkollë fare të mos fusin në listat e veteranëve shokë, miq, mikesha, vajza të tyre apo dhëndurë? Përse u dashka që Prokuroria të merret me Listat e veteranëve dhe jo edhe me Listat e akademikëve? Nëse akademikët kanë të drejtë që, në mes të kryeqytetit të Kosovës, ditën për diell, të fusin në Akademi një person që gjatë gjithë jetës së tij ka shkruar një libër për qytetin e tij me rrethinë, apo për të folmen e rrethit të tij, apo atë që ka bërë kompilime të shkallës më të ulët, apo edhe vjedhës të pronës intelektuale, pra plagjiatorë, pse në periferi të Kosovës, atje ku toka digjej flakë gjatë luftës, e ata aty ishin, të mos kenë të drejtë të futin ndonjë të vetin në lista, edhe atë që nuk ka qenë fare pjesëtar i luftës?

Nëse Hivzi Islami kishte të drejtë ta fusë në Akademi të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ish-mësuesin e tij të shkollës së mesme, Mehmet Halimin, përse i mohohet e drejta një ish-komandanti të Dukagjinit apo të Llapit, me një ngritje arsimore e kulturore modeste apo edhe pa ngritje fare, që t’i japë titullin veteran luftëtar një miku të tij, dhëndëri apo mbese?!

Më shumë ka kontribuar për luftën ai bashkëvendësi im që i dha 500 DM UÇK-së sesa të gjithë të përmendurit për shkencën. Dhe, nëse duhet kërkuar llogari, së pari duhet të kërkuar këtu në Prishtinë, të nisë llogaria nga fillimi, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, jo nga bishti!

Jo vetëm bashkëvendësi im që dha 500 DM për luftën, po edhe dezertorët e UÇK-së më veteranë luftëtarë janë se që janë shkencëtarë anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si Ali Aliu, Nexhat Daci, Hivzi Islami, Sabri Hamiti, Jusuf Bajraktari, Mehmet Halimi, Zejnullah Rrahmani, Isa Mustafa, Sali Gashi, Luan Mulliqi etj., sepse të parët së paku e bartën pushkën dhe e çuan deri diku, ndërsa të lartpërmendurit kurrë nuk bënë shkencë!

Konkluzion: Veteranët e Kosovës nuk mund ta bartin mbi kurrizin e tyre atë faj, tepër të rëndë, siç është prishja e paradigmës të së keqes, e cila është krijuar me shumë mund dhe përpjekje në mëse një dekadë e gjysmë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë!

Prandaj, këshilla ime është: Mos i ngucni veteranët, edhe ata Kosovë janë!

Ndërkaq, për mjekun i cili gjatë kohës së luftës nuk u ofroi ndihmë njerëzve në nevojë, e që tani është në listat e veteranëve luftëtarë, nuk kam koment. Të tillë, që kapen pas çdo pushteti që vjen, ka pasur gjithmonë, po do të ketë edhe në të ardhmen.

 

P.s. Tani, pasi ju mbrojta nga të tjerët, i kam edhe dy-tre fjalë me ju, vëllezër veteranë.

Të gjithë të tjerët në Kosovë e kanë bërë mut (ndjesë për fjalorin e pahijshëm, po vetëm ky fjalor e shpreh më së miri atë që e keni bërë), po kjo nuk ju jep të drejtë ta bëni mut edhe ju, se pastaj nuk na ngelet asgjë mbi këtë dhe! Të tjerët janë mësuar ta bëjnë mut; ata edhe në robëri jetonin me të gjitha privilegjet që ia jepnin vetes, po ishit ju që u zgjuat në këmbë, sakrifikuat dhe e përmbysët robërinë! pasi nuk arritët t’i përmbysnit ata, të keqen e shoqërisë, po kjo nuk do të thotë që t’i bashkëngjiteni kësaj të keqeje! Pasi sakrifikuat për ta nxjerrë Kosovën nga robëria serbe, do ta rrjepin tani atë për së gjalli?! Jo, kjo nuk guxon të ndodhë në asnjë moment. Ju duhet të jeni në mbrojtje të Kosovës e jo në shkatërrimin e saj! Veteranët e vërtetë, ka veteranë të vërtetë, duhet ta ngrenë zërin; ku janë ata, pse heshtin tani, jo vetëm për këtë po për çdo të keqe tjetër që i ndodh Kosovës dhe jo të bëhen pjesë e së keqes!

Futja e veteranëve të rremë në listat e veteranëve është thikë pas shpine që u bëhet veteranëve të vërtetë dhe luftës që bënë ata për liri të Kosovës! Pra, me bashkëngjitjen e dy-tre veteranëve të rremë një veterani të vërtetë është synuar të thuhet që të gjithë veteranët janë të rremë, po edhe e rreme është edhe lufta e tyre! Ju nuk duhej të binit në këtë kurth që ju ngritën, po ta kundërshtonit dhe, me këtë rast, ta mbronit Kosovën në mos me diç tjetër, me shembullin e juaj!

Si përfundim, sipas mendimit tim, procesi i verifikimit të veteranëve duhet të shpallet i dështuar. Keqpërdoruesit të vihen para përgjegjësisë dhe ky proces të nisë nga fillimi. Duhet të vijë një moment kur t’i themi Stop të keqes!

Nëse nuk ndodh kjo, pra shpallja e dështimit të procesit të verifikimit të veteranëve të Kosovës dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që e keqpërdorën përgjegjësinë që u ishte dhënë për krijimin e këtyre listave, unë, Sali I. Bytyçi, publikisht heq dorë nga të qenët në listat e veteranëve të Kosovës.

Rrëfimi i Nekibe Kelmendit, avokate: Ekzekutimi i Bajramit dhe djemve ndodhi pas mesnate

 

Nekibe Kelmendit, In Memoriam Gruas dhe Nënës Heroinë

11.05.1944 – 19.06.2011

 

Voal – Ishte nata e parë e intervenimit të forcave të NATO-s,  24 mars 1999, veprim kaq i pritur. Serbia, ndërkaq, që herët i kishte sajuar planet shfarosëse të shqiptarëve, të cilat veç sa i intensifikon që me natën e parë, dhe vetëm disa orë pas rënies së bombës së parë. Në Prishtinë, cak i parë i sulmit mbi civilët do të jetë familja e avokatit të njohur kosovar, Bajram Kelmendi, me të bijtë. Forcat serbe, të sajuara nga tri formacione të armatosura, dramën, në atë errësirë nate, e zhvillojnë marramendshëm… Nekibe Kelmendi, grua dhe nanë, rrëfen për zhvillimin e ngjarjes, që do të lërë vuajtje të pafund në jetën e saj.

Zyra e avokatit Bajram Kelmendi ndodhet po aty, pranë shtëpisë, tashmë e riparuar nga plumbat e shumtë të bërë blozhdë, në natën kur u mor avokati me të bijtë. Veçse, tani boshllëkun e atij vendi e ka zënë e bija, Kosovarja, avokate, ndërsa Nekibja ushtron postin e Ministrit të Drejtësisë. Që të dyja, bashkë me nuse Vjollcën, e ruajnë të gjallë kujtimin për familjarët që nuk janë më. Ndërkaq, në shtëpi, në ballë të sallonit, qëndrojnë tri fotografi, që kanë zënë vend të përjetshëm: Bajrami në mes, me Kastriotin e Kushtrimin, anash.

Në muajt e vitet e para të ngjarjes tragjike, dukej se Nekiben e çlironin nga ankthi rirrëfimet e asaj ndodhie mizore të asaj nate tragjike në familjen Kelmendi. A është, a thua, edhe tani, pas kaq vitesh, ashtu për këtë grua të përvuajtur me qëndrim burrëror?

Ishte nata e parë e fillimit të intervenimit të NATO-s, të gjithë po e prisnim të ndodhte, më në fund, që të ndërpriteshin ato heqje aq të gjata të shqiptarëve, sidomos të atyre dhjetë vjetëve të okupimit. Ato dridhje të pritura, që u përjetuan pas orës tetë të asaj mbrëmjeje me bombardimin e parë, do të thellojnë akoma më shumë veprimet e forcave serbe të sjella nga Serbia. Çdo gjë e kishin planifikuar, jo vetëm gjatë Konferencës së Rambujesë e të Parisit.

Dritat elektrike ishin ndërprerë që me sirenat e para serbe, shenjë e fillimit të sulmeve. Jashtë qetësi e rëndë, ndërsa Kelmendët, si të gjithë shqiptarët, po përgjonin çfarë po ndodhte. Kastrioti, djali i madh, i entuziazmuar që filloi bombardimi dhe i disponuar, po bisedonte përmes mobilit me shokët e dalë në Shkup. Si natë e parë, askush nuk po imagjinonte se çfarë do të pasonte, ndonëse serbët gjithherë po vepronin dinakërisht. Për këtë natë tragjike dhe për pasojat e veprimeve serbe, rrëfen zonja Nekibe, tregim ky që të rrëqethë nga dialogët dhe nga veprimet e tyre:

“Shtëpia jonë ishte rrethuar nga forca të mëdha policore të kombinuara, që në orën dhjetë të mbrëmjes dhe në një hapësirë të gjerë, që nga Katër Llullat e këtej, ndërsa ne nuk po dinim gjë. Këtë do të na e tregojë, pas dy ditësh, një dëshmitar serb, në fqinjësi, (që nuk është më). Kur ora dëftoi kalimin e mesnatës, Bajrami e Kushtrimi, të lodhur, ranë në gjumë, ndërsa unë, Kastrioti e nuse Vjollca, po rrinim zgjuar. Saktë, në orën 12 e 50 minuta, rrëmbimthi u thyen dyert e shtëpisë dhe policia u fut brenda me shumë zhurmë e urdhra! Ishin pa maska, fytyrat u vëreheshin qartë, që edhe sot do t’i identifikoja. Urdhri i parë ishte – ta braktisnim shtëpinë brenda pesë sekondash! Dhe, dolën jashtë. Ndërkohë, ata kishin vënë nën shkallë dy bomba me siguresa të hequra, që, sipas planifikimit të tyre, sapo të dilnim, ta likuidonin gjithë familjen! Ne, edhe sikur të donim, nuk do të mund të dilnim aq shpejt. Pastaj u kthyen vrapthi dhe sërish me zhurmë, tashti urdhëruan që të shtriheshim barkas dhe me duart lidhur pas qafe, ndërsa po na i mbanin automatikët mbi kokë, një polic këndej, një andej. Ky në të djathtë ishte kryesori, udhëheqësi i grupit, biond, tjetri zeshkan. Të tjerët u ngjitën shkallëve me britma e me kërcënime që të futnin tmerrin: “E keni lypur Republikën, do ta keni! Edhe NATO-n e keni thirrur, ja, ajo po na bombardon!” Hynë në dhomën tek po flinte Bajrami, e nxorën dhe nisën ta godisnin fuqishëm me kondak në të dy anët e përmjetit, në të hollë, aq sa  mbeti pa frymë e pa zë, mbështetur për parmakët e shkallëve. E zgjuan edhe Kushtrimin, 16 vjeç, të cilin, sapo doli, e urdhëruan të shtrihej. Tashmë e gjithë familja ishim në korridor, nën kërcënimin e armëve dhe të të shtënave, derisa po bënin demolimin e shtëpisë, po thyenin kompjuterë e çfarë gjenin. Tashti, të parin e morën djalin e madh, Kastriotin, e futën në dhomën që është e lidhur me kthinën, ku ishim të shtrirë ne. Dëgjuam urdhrat e tmerrshme, që do të më tingëllojnë në vesh tërë jetën:

– Ndize cigaren e fundit! – (Heshtje e rëndë).

Pastaj e urdhëruan Kushtrimin të ngrihej,  aty e kam ngritur kokën e i kam lutur: Mosni, bre, se i ka vetëm 16 vjet! E morën, u dëgjua kur i thanë:

– Puthi për herë të fundit fëmijët e vëllait! Puthe edhe kunatën!

Mandej u kthyen nga Bajrami e Kastrioti, dhe i morën! Polici, që ishte pranë nesh, e pyeti kryesorin:

– A ta marrim edhe gruan? U mendua disa sekonda, e tha:

– Jo, gruan lëre ! – u dëgjua zëri i ashpër.

Kur i morën, Bajrami e Kastrioti ishin me pantofla, ndërsa Kushtrimi në kanotierë e brekë, zbathur. E kthyen që të vishej, ndërsa ai, nga habia, i vesh tutat e mia, po nuk e lënë edhe të mbathej. DOLËN. Nuk më lanë as të përshëndetesha me ta!

Atë natë, unë kam identifikuar 3 formacione forcash serbe: një formacion ka qenë ushtarak, i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake (KOS-i), formacioni tjetër ka qenë i Policisë së Serbisë, i kam parë emblemat e tyre në krah, dhe formacioni i tretë ka qenë i Sigurimit Shtetëror Federativ, policia speciale, me stemën e Jugosllavisë në krah. Të gjithë janë vënë në veprim kundër një familjeje civile, të paarmatosur!

Shfaqja e Bill Klintonit në TV

Ishin orët e para të natës së 25 marsit 1999, e enjte, 2  pa 15 minuta. (Një orë kishin zgjatur veprimet e tyre çnjerëzore nëpër shtëpi!)

Datë e fiksuar përjetësisht në kujtesën e Nekibes. Ajo natë e errët, e ai rrëmbim i egër i të shoqit me dy të bijtë, që nuk do t’i shohë më të gjallë, tek Nekibja mbetet plagë e përjetshme, që sajon historinë e kësaj toke. Në atë errësirë nate mbeten të shastisura, Nekibja, nusja e Kastriotit, Vjollca, dhe fëmijët, Sokoli 2 e Elena 6 vjeç, e cila nuk do të pushojë së qari deri në orët e mëngjesit, duke kërcyer nga kanapeja në kanape.

Nekibja menjëherë provon të bëjë telefonatë, formon numrin e Kushtrimit, vetëm 2-3 minuta pas rrëmbimit, që të kuptonte nga po i çonin, por dëgjon zërin: Numri që ju kërkoni është çlajmëruar! Këtë provë e bën edhe me telefonin personal, por merr të njëjtën përgjigje, që domethënë edhe linjat telefonike ishin të planifikuara për shkëputje.

“Menjëherë i kam telefonuar Skënder Hysenit, me lutjen që të bisedonte me Cristofer Hillin në Shkup, ambasadorin amerikan, nëse mund të intervenonte për t’i shpëtuar. Mirëpo, Hilli i thotë se nuk mund të bënte gjë, ngaqë askush nga ndërkombëtarët nuk ishte në Kosovë, qysh më 20 mars e kishin braktisur vendin. Atëherë, i kam telefonuar Natasha Kandiqit: E ke internetin, alarmo botën se ma morën Bajramin me fëmijët…!” Arrin, në atë siklet, të marrë në telefon edhe të bijën, Kosovaren, në Pejë, që të largohej nga shtëpia menjëherë, së paku ajo të shpëtonte! Policia arrin në shtëpi të Kosovares në mëngjes, kur ajo e kishte braktisur shtëpinë… Ende pa ditur gjë se çfarë u kishte ndodhur, akoma pa i gjetur kufomat, Bill Klinton, siç i tregojnë më pastaj, del në televizor: U vra avokati më i njohur në Kosovë me të bijtë! Këtë e thotë edhe Solana!

Dialogu para ekzekutimit

Nekibja rrëfen: “Ishte ora 1, 45 minuta kur i nxorën nga shtëpia. Vetëm për dhjetë minuta arrijnë te pompa e benzinës në rrugën për Fushë-Kosovë, te vendi ku do të ndodhë ekzekutimi. Tërë ngjarjen do ta vështrojë, rastësisht, djaloshi nga Prishtina (25 vjeç), i cili po kthehej nga axha i tij, që po punonte rojtar në fabrikë, në afërsi, për t’ia bërë me dije se situata ishte tepër e rëndë dhe se të mos kthehej në shtëpi, pa zbardhur dita! Djali, kur po i afrohej pompës ndonja 50 metra, heton dritat e forta të xhipave të Sigurimit Shtetëror. Në çast shtrihet përtokë, në disa barishta të thara, për të mos u hetuar, dhe që andej vështron gjithë dramën. Në vend të ngjarjes arrijnë: Mishko Llakoviq, i Sigurimit Shtetëror për Prishtinë, David Gajiq, i Sigurimit Shtetëror për Fushë-Kosovë, Sreten Llukiq, i Sigurimit Shtetëror për Serbi, si dhe tre ekzekutorë. I nxjerrin nga xhipat Bajramin, Kastriotin e Kushtrimin. I qesin përpara. Pastaj i thërrasin ekzekutorët, të cilët i mbajnë armët-kallashnikovë në gjendje gatishmërie. Të parin e urdhërojnë Kastriotin:

–                 – Merre armën dhe shkrep mbi babanë!

–                 -Jo, nuk mundem! – ua kthen. Atëherë i kthehen Kushtrimit:

–                 – Ja, kape armën dhe shkrep mbi babanë!

–                 -Nuk mundem, jo! – u thotë. I kthehen Bajramit me armën në dorë:

–         – Mëshoju djemve! Bajrami flet:

–                 – Nuk mund ta bëj!

-Eeee, i thonë, ta shohësh ti, se si ne mundemi! Ekzekutorët, sipas urdhrit, i ngrenë armët: Së pari e godasin Kastriotin me një plumb në zemër! Pastaj i kthehen Kushtrimit, veprojnë njësoj – me plumb në zemër! Të dy bien të vdekur. Në momentin kur të bijtë shtrihen përtokë, Bajrami i tmerruar e kap kokën me të dy duart, duke e ngritur lart, dhe nga dhimbja lëshon tingullin: Iiiiiiiiiih! – I kthehen: Zashto kukash, kukavico jedna! (Pse po kukat, mor qyqar!). Atëherë, i afrohen Bajramit, e qëllojnë me një plumb në mes të ballit dhe me një tjetër pak anash! E rrëzojnë. Tashti shtinë me rrebesh plumbash mbi të tre: Mbi trupin e njërit bien 18 plumba, mbi tjetrin 24 dhe mbi të tretin 32 plumba! Me 32 plumba më duket ka qenë i goditur Kastrioti, se plumbi ia kishte këputur edhe gishtin e dorës.

Ekzekutimi ndodh në orën 2 të natës, e tëra kryhet brenda 5 minutash. I lënë trupat shtrirë dhe largohen.

Djali që kishte përgjuar gjithë ngjarjen, dhe që e kishte njohur Bajramin, kthehet në shtëpi, i telefonon Degës së LDK-së në Zvicër, u thotë: E vranë axhën Bajram me të bijtë! Ata mandej e lajmërojnë LDK-në në Prishtinë, në mëngjes. Veçse, këta nuk marrin guximin të më tregojnë, po shkojnë në Këshillin për të Drejtat e Njeriut, të cilët vijnë të interesohen, që në fakt vijnë të më tregojnë për vrasjen, po edhe këta nuk munden…”

Trupat u gjetën pas dy ditësh

Që në mëngjes, në orën 7, Nekibja del nga shtëpia për t’i kërkuar, a thua ku mund t’i kenë shpënë?! Troket derë më derë në stacionet e policisë. “Ditën e parë, 5-6 orë pas rrëmbimit, kam shkuar te Sigurimi Shtetëror, kam pyetur: Ju lutem, kush është shef këtu? – Mishko Llakoviq, më thanë. – A bën t’i thoni të më pranojë? – u thashë. – Nuk është këtu, ma kthyen.    Atëherë, vëllai im ia gjen shtëpinë Llakoviqit, i shkon në derë. Del e shoqja, e cila i thotë se Mishko është në gjumë, sepse mbrëmë ka punuar deri në orën 2 të natës! Fakt që po ndërlidhej me këto dy momente. Dhe, derisa po qëndroja në lokalet e Sigurimit, ja po vjen Mishko Llakoviqi, që unë nuk e njihja, po portieri ma bëri me kokë. I dola përpara: Jeni ju Mishko Llakoviqi? – Po, më tha. – Shef i Sigurimit Shtetëror? – Po.  Vazhdova: Dua të më pranoni, se ma kanë marrë burrin, avokatin, me të dy djemtë! – Tha, prit pak, tash sa erdha prej shtëpisë, dhe u ngjit shkallëve. Nuk vonoi, kur pas 2-3 minutash, i thërriti ata të sportelit e u tha: Thoni asaj gruaje le të shkojë, se kam takim me personelin. Gënjeshtër! Prej aty kam shkuar nëpër polici, kudo më shtynin për palltoje, për gjoksi: Shko kërkoji te UÇK-ja, ajo t’i ka vrarë! Unë ua ktheja, jo, UÇK-ja nuk I ka vrarë, se, Bajrami i ka mbërojtur në procese të ndryshme gjyqësore! Të nesërmen, bashkë me vëllanë kemi shkuar te Danica Marinkoviq, që ishte kryesorja e Sigurimit Shtetëror për Kosovë. Unë kisha punuar me Danicën deri në vitin 1987. Hyra në zyrë të saj dhe i thashë: Danica, ti je e Sigurimit, ti e di, të më tregosh, gjallë o vdekur, ku janë? Ajo ma ktheu me zë të dridhur: “Majke mi, ja ne znam, ne znam…! (Pasha nënën, unë nuk e di, nuk e di). Po flitet se janë gjetur do kufoma te pompa e benzinës, po nuk e di a janë të tyre, unë s’di gjë…ndoshta i ka marrë UÇK-ja…” Atëherë jam ngjitur lart, te prokurori. Kur kam hyrë, e kam gjetur komplet kolegjiumin e gjykatësve të Gjykatës së Qarkut të Prishtinës, serbë, dhe prokurorët duke pirë raki, duke ngritur dolli, se – u vra Bajram Kelmendi me të bijtë! U kthyem në shtëpi, pa kurrfarë informatash, bashkë me vëllanë dhe me motrën, Zyrafeten. Unë hyra e para në derë, pas meje motra, vëllai mbeti i fundit. Mirëpo, matanë rrugës po qëndronte një njeri, me moshë mesatare, i cili i jep shenjë vëllait me dorë, ky i afrohet: O shkoni, bre, merrni, të tri kufomat janë në filan vend…, po frikohem mos po i hanë qentë!” Vëlla e motër të Nekibes, pa e ditur kjo, shkojnë e i gjejnë që të tre të shtrirë! Ishte data 27 mars. Kthehen: “Zoti të lashtë shëndoshë, se ata i kishin vrarë, i gjetëm në filan vend” – ishin ngushëllimet e tyre.” Kur vëllai gjen një kombi dhe shkon t’i marrë trupat, aty e gjen Danica Marinkoviqin (!), e cila nuk lejon t’i marrë, me pretekst se “duhej bërë obduksioni”.

Varrimi

“Më 28 mars, ishte Dita e Kurban Bajramit, kur m’i sollën në shtëpi trupat e tyre. Në xhaminë Alaudin i mora 3 arkivole, që kishin tepruar nga të vrarët e Kleçkës.

– Policia, vetëm 5 minuta m’i lanë trupat e tyre në shtëpi! I shikova mirë, që të tre, i preka një nga një, ua numërova plumbat… Kjo ishte përshëndetja ime me ta! (Qan). I bëmë dy autokombi, njërin e shtimë në njërin dhe dy në tjetrin. U bëra gati për varrim, i futa në gjoks flamujt kombëtar, të mos m’i shihte policia, e cila ndodhej në çdo 50 metra deri tek varrezat, ndërsa fotografitë i mbaja në dorë. Kur mbërrimë, i nxora flamujt dhe i mbulova arkivolet. Hoxha, Rexhep Boja, ua këndoi tallkinin. Në çastet kur po i varrosnim, nga një rrugë vizavi varrezave, erdhi një turmë njerëzish. Ishte Fehmi Agani i ndjerë, akademik Rexhep Ismajli, Vehap Shita, Fazli Balaj, Miftar Jasiqi…, nuk po i mbaj mend të gjithë. Adem Demaçi e mbajti një fjalim, policia nuk na pengoi. Profesor Aganin që po e mbanin për krahësh, e luta: Profesor, thojeni ndonjë fjalë, se Bajramin e keni pasur edhe nxënës, edhe shok. Nuk mundi të fliste fare, se në mjekër i bashkoheshin lotët! Atëherë kam folur vetë: U kam bërë apel nënave të tjera që të bëhen të qëndrueshme, se, luftë është kjo, këto janë sakrificat që po japim për Kosovën… Kam qëndruar shumë stoike, një lot nuk e kam derdhur!

NATO po vazhdonte intervenimet. Nekibja vazhdon jetën në një shtëpi, prej së cilës nuk del tre muaj. Lehtësohet pak kur kupton për Kosovaren, e cila, pas jetës së vështirë nëpër katunde të Pejës, deri më 9 maj ’99, arrin që me vajzën 5 vjeçe, me të shoqin dhe me të afërmit, pas itinerarit të rëndë, nën dirigjimin e forcave serbe, të dalë matanë kufirit.  Agjencitë e njohura televizive, CNN, BBC, Rojters… që po xhironin arritjen e të përndjekurve që në kufi, e ndalin Kosovaren, e cila në anglishte u tregon për vrasjen e babait dhe të vëllezërve si dhe për të gjitha ato që po ndodhnin në Kosovë… Pas kalimit në Tiranë, miqtë e shumtë provojnë ta qetësojnë Kosovaren… Ndërsa nuse Vjollca me fëmijët arrin të depërtojë në Strugë…

Kosovarja kthehet në Kosovë që me përfundimin e luftës, thuaja nëpër mina, e lënduar, e tmerruar nga goditja e rëndë familjare!

*  *  *

Viti 2009 shënon 10 vjet të përfundimit të luftës. Ndjenjat janë po ato, dhimbja po aq e fuqishme…- “Për mua, dhimbja është e freskët gjithmonë. Fotografitë e tyre i kam të vendosura në sallon të shtëpisë. Dhe, nuk ka ditë që unë nuk hyj të përshëndetem me ta, t’u them mirëmëngjesi dhe ditën e mirë! Edhe kur kthehem, i nderoj përsëri. Ua uroj festat, i përqafoj fotografitë… Dhe, ato fotografi nuk dua t’i heq sa të jem gjallë! (ligështim nëne, shoqëruar me lot). Mirëpo, kur e di pse kanë shkuar, unë gjej forcë për të vazhduar punën e Bajramit, po edhe punën time, e cila deri diku ka qenë e përbashkët, veçse ai ka punuar më shumë se unë. Prandaj dhe nuk ka qenë rastësi që në derën tonë të vijnë që në natën e parë!”

Zonja në të zeza, siç njihet tani Nekibja, te Elena 16 vjeçe dhe te Sokoli 12 vjeç, sheh të parakalojnë fëmijëria dhe rinia e Kastriotit dhe Kushtrimit… kujtim i hidhur, nga i cili shpërthejnë plagët e papërthara për përfundimin aq mizor.

Bajram Kelmendi, avokat, jurist nga më të shquarit, ishte autor ose bashkautor i disa iniciativave e kontesteve për  vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të regjimit serb. Ishte autor i kallëzimit penal kundër Millosheviqit në Gjykatën e Hagës dhe i qindra kallëzimeve të tjera, që Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë ia dërgoi Trubunalit për krimet serbe mbi shqiptarët në Kosovë.

Pse zonja Kelmendi  nuk u ftua asnjëherë në Hagë?!

“Tri herë më kanë intervistuar hetuesit e Tribunalit të Hagës, u kam çuar mjaft material argumentues për aktivitetin e Bajramit, për kallëzimet penale, mirëpo Karla Del Ponte nuk e ka parë të arsyeshme të më thërrasë, as kur është gjykuar Millosheviqi, as kur janë gjykuar Millutinoviqi, Sreten Llukiqi e të tjerët!

Dialogu me Karla Del Ponten: Kam kontaktuar 3-4 herë me të dhe i kam thënë: Pse nuk më thërret dëshmitare?! Më thoshte – kur të vijë radha! – Jam konfrontuar me të me fjalë dhe i kam thënë: Ti u ke hyrë në hak shqiptarëve që nuk e ke akuzuar Millosheviqin për gjenocid! Më thoshte – nuk kam pasur prova! – Po si nuk ke pasur prova, kur atje e ke gjithë arkivin shtetëror dhe ushtarak! Ti je pushtet gjyqësor, ti ke mundur t’i marrësh, po s’ke treguar vullnet! Më tha: I ke të deponuara deklaratat e tua, do të merren parasysh. I thash: – E ke bërë përzgjedhjen e keqe të dëshmitarëve, ke marrë politikanë, çfarë të vyen ty politika e Kosovës, e nuk të vyen faktografia për krimet që janë bërë?! – Pas një ore debati shumë të ashpër (në Hagë), më tha: Qenke grua shumë e fuqishme! Gjatë qëndrimit në Hagë, unë e bëra publike se jam viktimë, dhe se atje kam shkuar si grua që e kam pësuar. Kam pritur se do të më ftonte, por nuk ndodhi! Ajo grua ka qenë e anshme!

Në fakt, Karla Del Ponten nuk e ka interesuar e vërteta për Kosovën. Atë grua e ka interesuar më tepër karriera e saj, e ka interesuar mbajtja e fjalimeve politike, shkuarja orë e çast në Beograd, kinse për t’ia dorëzuar kriminelët, ndërsa ka dashur të kishte kontakte të drejtpërdrejta. Është parë se ajo grua nuk ishte duke e luajtur rolin e mirëfilltë të prokurorit! Qëllimi i saj u pa me botimin e librit të fundit për ngjarjen. Kur doli libri, erdhën ata të agjencisë gazetareske Asoshietedpress dhe më pyetën çfarë mendoj unë. U thashë: Nuk u besoj fjalëve të saj, nuk e besoj çfarë përmban libri…!

2016-06-21_08-32-39

(Nga libri “Histori të  tmerrit 1998-1999, Dosje krimesh të  luftës, rrëfime të grave”, i autores Sanije Gashi).

Stokholm, e mërkurë, 17 korrik 1996

Homazh për Dardaneshën e Lirisë, Nekibe Kelmendin – Nga KËZE KOZETA ZYLO*

Ne ditën e ikjes tënde, o Dardanesha e bukur shqiptare, ndjeva dallgët e oqeanit me krah pulëbardhash të rreshtuara njera pranë tjetrës të cilat dukeshin sikur bënin homazh për ty motra ime prej Kosove!

Ndërsa përgjatë Manhattanit në kerthizë të botës, një shatërvan në mes të OKB-s ndali rrjedhjen e ujit, aty ku mijëra shqiptare mblidheshin herë pas here për të denoncuar genocidin serb dhe për të demonstruar para botës kërkesat tona për Pavarësinë e Kosovës, që ti e doje aq shumë!

Por ju edhe pse po largoheshit nga kjo botë se ç’pata një ndjesi se po vazhdonit të na dhuronit buzëqeshje hyjnore, buzëqeshje që ta dhurojnë vetëm lulet bozhur si ty, që hapën petalet gjithë aromë vetëm në ditën e Lirisë së Kosovës.

Ju ishit e plagosur në shpirt, ende kishit pikla gjaku të pathara të bashkëshortit tënd, ish avokatit të mirënjohur Bajramit dhe djemve të tu Kushtrimit dhe Kastriotit të vrarë e masakruar nga kucedra serbe.

Ata dhe gjithë martirët e Kombit si yje qielli spërkatin me pikëza drite Kosovën martire, e në këto pikëza u bashkove dhe ti sokoleshë Pejane, ndaj dhe unë më duket sikur i lexoj më qartë enigmat e shumta…ato duken të kthjellta në bebëzat e syrit tënd.

Ikja tënde e shpejtë la plagë të çelura ende të pashëruara, ndaj duke hyre në palcën e fjalës tënde në sa e sa mediume kombëtare dhe ndërkombëtare, më doli si feniks burri i madh shqiptar, IBRAHIM RUGOVA!

Brenda gjoksit tuaj dëgjova ca tinguj të përvajshëm që rënkonin tutje nëpër erën e Ilirisë. Rënkonin për bijtë e vrarë, për mijëra të zhdukur… Ishin trimat e Kosovës dhe ti Drenushë e Lirisë që mbollët ëndrrat me sythe shprese.

Edhe pse kujtimet e makthshme i përjetove kudo, dhe pe me sytë e tu fatin tragjik të familjes dhe të Kombit, ju përsëri nuk e shuajtët ëndrrën, ëndrrën e bukur të Lirisë. Ju u shkritë si qiriri i Naim Frashërit, si një zonjëz e rrallë e Kombit, për t’i dhënë atij pakëz dritë…

E kjo dritëz ndizet si pishtar e bëhet flakërrimë për Kosovën, ku zambakët e bardhë të Prizrenit pikojnë bukuri mëngjezore.

“Vizioni juaj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës NEKIBE KELMENDI dhe të të gjithë lëvizjes gjithë popullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal”, ka thënë presidentja e Kosoves, zonja Jahjaga, sipas Kosovapress.

Ju ikët para kohe dhe në ikjen tuaj m’u duk sikur pëllumbat e Manhattanit më çukitnin në xhamin e dritares dhe sillnin pranë amanetin tënd të fundit: “M’i bëj të fala Kosovës”. Eshtë amaneti tënd që s’e tret as dheu, amanet që u dha në gjithë botën ku frymojnë shqiptarë, u tha me lot në sy nga bija juaj me emrin Kosovare, me emrin më të bukur në botë.

Amaneti tënd: “M’i bëj të fala Kosovës”, më është bere si refren duke e pëshpëritur në buzë herë pas here, është një refren që do të jetojë gjatë, është kënga e shpirtit të një Zane si ne legjenda që e donte me jetën e saj Kosovën!

Ju tashme flini e qetë, sepse siç thotë poeti i madh Din Mehmet në poezinë e tij: Gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën/ dhe dashurinë tuaj e shënuat në çdo lule/ në çdo gur, në çdo rrugë…

Ju prehuni e qetë, o Teutë e bukur shqiptare. Ju jeni si një degë e blertë plot sythe në pemën e madhe të Lirisë!

Tani ju ndriçoni, ndriçoni nga qielli dhe plas nata serbe në ferr…

*21 Qershor, 2011

Staten Island, New York

Lule për ty, motër Nekibe Kelmendi – Nga RITA SALIU*

Nekibe Kelmendi, Hava Bujupi, Rita Saliu

Nuk ka penë as penel, që mund të shprehë sakrificën heroike të shpirtit luftarak e atdhetar. Humane, zemërgjerë, mendjemprehtë e mirënjohëse e madhe. Nuk u gjunjëzove edhe atëherë kur të shkrumbuan. Ashtu si trimëreshë, liridashëse e patrembur, në luftime ishe tingëllim i pastër Dardanie. Dëshmi e gjallë, me dinjitet, e ditur, element i fuqishëm burrërie. Më e fortë se vet kështjella.

Dije të na ngushëlloje mike, motër. Nënë në prag të shtëpisë. Shpesh citoje LAMARTININ, KJO ËSHTË TOKA E HERONJVE E TË GJITHA KOHËRAVE. Lirinë e kishe rit të Shenjtë. Rrugëtuam bashkë nëpër beteja, të sjellim pak dritë në terr motër e shtrenjtë.
* * *
Më kujtohen si sot motra ime dy tre takimet tona pas Ditës së Lirisë, e Pavarësisë së Kosovës, tokës sonë të shtrenjtë.
Ishte mëngjes i freskët, 5 Tetor kur u organizua promovimi i librit tim me poezi “ECJE VERTIKALISHTE NEPER OQEAN”… Aty në rendin e parë në Biblioteken Kombëtare si një IKONË më thirre pranë, e më the qetë – shumë qetë: “Bija ime jam e sëmurë, këmba më dhemb, kam ardhur me shkop, mora guximin të eci të jem prane teje si rrugëtimi yt nëpër oqean”. M’u mbushën sytë me lot, që pikuan në varg.
Takimi tjetër ndodhi me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të NENES TEREZE dhe 20 vjetorit të forumit të gruas ku u dekoruam të dyja NEKIBE KELMENDI E Rita Saliu. Më përqafoi fort me mallin e tokës, e i rridhnin lotët nga vargjet e shkëputura të poezisë sime.

Rita4A
* * *

EDHE AEROPLANI MOS T’I HAPTE KRAHET
NE KEMBE DO TA KALOJA OQEANIN
DARDANIA ME BEKON….
Kishim shumë takime, evokime motër, nënë, ikonë kështjellë e gjallë do jesh.

TAKIMI ME KESHTJELLEN
{NEKIBE KELMENDIT}

SA T’I SHPORIM TE …..
NGA TROJET TONA
DO BEJME DASEM TE MADHE
KUR KRYENGRITJA TE PERFUNDON
DO SHIFEMI TE FUSHA LULEKUQE
ME PRIT SE DO TE VIJ
KUR KOHA S’I MBYLL PLAGET
TAKOHEMI TE LUMI VALBONA

rita2A

Nekibe Kelmendi, Rita Saliu, Adem Saliu

GJITHMONE DO TE CELEBROJME JETEN E SHTREJTA JONE

rita5

Rita Saliu

SHBA

*22.06.2011

NEKIBE KELMENDI, HEROINË E KOHËS SË VET – Nga SONJA BISERKO*

Herën e fundit e kam takuar Nekibe Kelmendin para disa muajve, në shtëpinë e saj. Sa herë isha në Kosovë takohesha me të. Ndaj asaj gruaje kam pasur gjithmonë ndjenjë borxhi e respekti. E ka përballuar fatin e vet me trimëri: humbjen e dy djemve dhe burrit. Ata janë marrë nga shtëpia natën vonë në ditën e parë të bombardimeve në vitin 1999, dhe janë vrarë diku në afërsi të Prishtinës. Policët e armatosur serbë kanë hyrë në shtëpi dhe kanë marrë Bajram Kelmendin, luftëtarin shumëvjeçar të të drejtave të njeriut në Kosovë. Ai dhe Nekibja, që të dy avokatë, i përkisnin rrethit të ngushtë të intelektualëve të cilët ishin angazhuar në mbrojtjen e shqiptarëve, të cilët pushteti serb i ka ndjekur dhe i ka akuzuar për terrorizëm dhe cenim të integritetit shtetëror. Ata kanë dokumentuar sistematikisht terrorin shtetëror të pushtetit serb që solli intervenimin e NATO-s. Me siguri kjo ka qenë edhe një ndër arsyet që Kelmendi është likuiduar që në natën e parë të intervenimit. Nekiben e kam takuar pak kohë pas ndërhyrjes. E thyer me humbjen e më të dashurve megjithatë nuk ka hequr dorë nga vizioni i saj njerëzor dhe politik: lirisë dhe demokracisë. Ishte aktive në partinë e Rugovës dhe ka paraqitur simbolin e rezistencës shqiptare kundër pushtetit serb. U bë anëtare e Parlamentit e më vonë edhe ministre e Drejtësisë. Nekibja nuk iu dorëzua pikëllimit, as urrejtjes. Rrjeti i Grave Kosovare, të cilit i përkiste, ka punuar aktivisht në enklavat serbe me gratë serbe. Edhe Komiteti i Helsinkit kishte projekte të ngjashme. Së bashku me Rrjetin Kosovar të Grave vizitonim gratë në enklava. Nekibja gjithmonë ishte aty. U dërgonte dhurata praktike çerdheve të fëmijëve serbë si akumulatorë të domosdoshëm, shkaku i mungesës së përhershme të rrymës. Nekibja në asnjë moment nuk e ka vënë në plan të parë tragjedinë e vet. Për më tepër ajo gjithmonë u ndihmonte të pësuarve. Ishte e aftë të falte.

Gjatë gjithë këtyre viteve të punës në terren gjithmonë më të gatshmit për të falur kanë qenë ata që kanë pësuar më së shumti. Nekibja e ka dëshmuar këtë në çdo situatë. Nekibja ishte grua e madhe dhe trime. E drejtë dhe dashamirëse e së vërtetës. Muajt e fundit i kalonte në shtëpi e rrethuar me kujdesin e mbesave dhe nipit, vajzës Kosovares dhe miqve nga mbarë bota. Jam e nderuar që kam pasur rastin ta shoh edhe para largimit të saj, edhe pse kam shpresuar në një përfundim tjetër. Në e-mailat e fundit nuk më është përgjigjur. Fjalët e fundit ia ka përcjellë vajza Kosovarja: Bija ime, gjeje mënyrën si të duash ti, m’i bëj të fala gjithë Kosovës. Isha e nderuar që e kam njohur këtë grua. Do ta kujtoj gjithmonë me respekt të thellë dhe miqësi.

U prehtë në paqe!

*22 .06.2011

Janjiçi: Të respektohet vendimi i Gjykatës për pronën e Manastirit

Manastiri i Deçanit

Igumeni i Manastirit të Deçanit, At Sava Janjiçi, i ka deklaruar Radios Evropa e Lirë se beson që “ligji do të respektohet nga të gjithë” në rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i njeh të drejtën e pronës mbi 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit.

Ai tha se Manastiri e ka mirëpritur vendimin e institucionit më të lartë gjyqësor në Kosovë për pronën dhe vlerësoi se kjo është “çështje plotësisht ligjore”.

Igumeni i Manastirit të Deçanit i bëri komentet pas protestave të qytetarëve të Deçanit, nën organizimin e kryetarit të komunës, të mbështetur nga forcat politike në komunë, në kundërshtim të vendimit të Gjykatës, të cilin e cilësuan si politik.

Ata kanë theksuar se nuk do ta zbatojnë vendimin e Gjykatës dhe se do të vazhdojnë protestën deri në ndryshimin e tij.

Por, për Sava Janjiq, çështja “është e mbyllur dhe ligji duhet të respektohet.”

“Kjo është çështje e organeve të drejtësisë së Kosovës dhe organeve të tjera, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë vendime të një organi më të lartë të drejtësisë në Kosovë dhe ne shpresojmë se ligji do të respektohet për të gjithë”, tha Sava Janjiq për REL.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pak javë më parë, mori vendimin që të mos e kthejë lëndën për pronat e Manastirit për rishqyrtim në Gjykatën Komunale në Deçan, të cilën e kanë kërkuar protestuesit dhe kryetari i komunës, Rasim Selmanaj.

Gjykata Kushtetuese e konsideron vendimin e Gjykatës Supreme të vitit 2012, me të cilën i njihet e drejta në pronësi Manastirit të Deçanit, si çështje të mbyllur.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u përkrah nga Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, e cila vlerësoi se Gjykata ka treguar gatishmëri dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm, me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”. (REL)

Kryeministri Mustafa liron nga detyra ministrin Ferid Agani

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka liruar nga posti ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani. Vendimi i kryeministrit pason kërkesën e vet ministrit Agani, ndaj të cilët ditë më parë Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë bashkë me 63 të pandehur tjerë, nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie e marrje të ryshfetit si dhe shmangie taksash.

Ministri Agani akuzohet për periudhën kur ka udhëhequr ministrinë e Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës.

Ngritja e aktakuzës pasoi hetimet e filluara që në tetor të vitit 2014 kur qenë arrestuar nëntë persona, punonjës të ministrisë së shëndetësisë dhe mjekë, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari kriminale.

Hetimet që çuan në aktakuzë ishin zhvilluar nën dyshimet se personat e përfshirë “në bashkëveprim dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore, të cilat nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore, me spitalet private”.

Sipas prokurorisë me veprimet e tilla, u janë mundësuar spitaleve private përfitime materiale, “duke u paguar nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, si autoritet kontraktues, shpenzimet për pacientët që dërgoheshin nga institucionet publike shëndetësore në këto spitale private”.

Në ketë çështje penale hetimet janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik, mirëpo për 56 persona fizik, nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mirëpo, prokuroria tha se për një numër të konsiderueshëm të tyre janë identifikuar disa dyshime për veprime tjera inkriminuese për të cilat po kryhen hetime.

Bajrami: Kemi 100 mësimdhënës me probleme psikike

Dhuna në institucionet e arsimit para-universitar në Kosovë, mbetet dukuri shqetësuese edhe pse rastet e tilla janë raste të izoluara, kanë bërë të ditur udhëheqës institucional të arsimit në vend.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për trajtimin jo të mirë të fëmijëve në kopshte ka marrë ankesa nga ana e prindërve, për çka ka dhënë edhe vërejtje me shkrim apo me gojë për edukatoret e papërgjegjshme, transmeton kosovapress.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka thënë se vërejtja ndaj këtyre punëtoreve arsimore është pritur me çudi, pasi sipas saj, edukatoret nuk ishin mësuar asnjëherë të marrin vërejtje për punë e tyre.

“Për të qenë të saktë, kompetenca e vlerësimit të performancës është nga udhëheqësit e shkollës, qoftë nga drejtori i shkollës, qoftë nga drejtoresha e shkollës dhe është kompetencë e inspektorëve të MASHT-it, është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi. Megjithatë, si komunë ne po bëjmë vizita të rregullta edhe në kopshte edhe në sh kolla, edhe pse nuk është decidivisht e përcaktuar me ligj, është kompetencë e ministrisë, me qëllim që të sigurohemi që procesi edukativ-arsimor është konform standardeve, ne i bëjmë këto vizita të rregullta. Tashmë kemi filluar edhe me trajtimin e raporteve individuale, edhe ne i kemi pranuar disa ankesa, qoftë nga ana e prindërve, qoftë nga edukatoret për koleget për raste të ndryshme, i kemi bërë këto vizita të rregullta dhe kemi filluar edhe me shqiptimin e masave ndëshkimore. Ka qenë pak të them e çuditshme dhe jo mirë e pranuar qoftë nga shkollat, qoftë nga kopshtet sepse asnjëherë më parë nuk kishin marrë vërejtje, por ne i kemi shqiptuar këto masa, qoftë vërejtje me gojë, qoftë vërejtje me shkrim dhe madje i kemi pas së paku dy raste kur i kemi dhënë vërejtjen e fundit me shkrim si masë e fundit para ndërprerjes së marrëdhënies së punës sepse jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bashkëpunojmë me qëllim që të ofrohet një kujdes maksimal sipas standardeve për fëmijët tanë”, ka thënë Nagavci.

Ekzistencën e kësaj dukurie, siç e ka quajtur ai të “shëmtuar” e ka pranuar edhe vet ministri i Arsimit, Arsim Bajrami. Ai ka thënë se sado të pakta dhe të izoluara që mund të jenë këto raste, janë brengosëse dhe i japin imazh të keq gjithë sistemit arsimor.

“Fenomeni i dhunës në shkolla është një dukuri e shëmtuar, sado që është e izoluar ajo është brengosëse, brengosëse dhe është një problem që MASHT e ka marrë me shumë shqetësim, nuk është vetëm një problem arsimor por edhe social, edhe psikologjik edhe i mentalitetit tonë dhe ne kemi qenë shumë të dëshpëruar me disa storie të dhunës, sidomos nga ana e mësimdhënësve, të iu them të drejtën që ne do të marrim masa të vendosura përmes inspektoratit, jo vetë m masa ad-hoc nga rasti në rast, prej denoncimit në denoncim. Testin kombëtar për mësimdhënës do ta mbajmë në shtator apo në tetor, do të jetë një tregues i vërtetë që ndoshta një kategori e vogël e mësimdhënësve janë më shumë të dëmshëm se sa të dobishëm në shkolla dhe për ta duhet të gjejmë një zgjidhje shoqërore dhe edukative. Besoj se numri i mësimdhënësve të tillë nuk shkon përtej 100, nga 24 mijë mësimdhënës mund të kemi 100 mësimdhënës që ndoshta kanë edhe probleme psikike por mjaftojnë këta për të krijuar një imazh të keq sistemit arsimor”, ka deklaruar ministri Bajrami.

Mirëpo, për këtë shqetësim ai ka thënë se ka në plan disa veprime me të cilat mësimdhënësit e tillë mund të pensionohen para kohe.

“Jam duke e zhvilluar një projekt në dy faza, e para që këta të kalojnë ndoshta nga stafi edukativ në stafin profesional që të mos mbetet pa vend pune, e dyta që këta t’i trajnojmë nëse ka nevojë me trajnime shtesë që t’i vetëdijësojmë për respektimin e etikës, të heqin dorë nga arroganca dhe nga dhuna por nëse edhe kjo nuk bënë punë, atëherë duhet të gjejmë një model të pensionimit, pensionimit të parakohshëm që të Iu vlejë stazhi 4-5 vjet apo 5-6 vjet dhe t’i pensionojmë sepse këta reflektojmë jashtëzakonisht keq, sa do që është dukuria e izoluar, vetëm një storie ku një mësimdhënës apo edukatore përdorë dhunë është një mesazh i keq”, ka deklaruar ministri Bajrami.

Në kryeqytet kohëve të fundit kanë ndodhur disa raste të ankesave nga prindërit për keqtrajtimin e fëmijëve të tyre nga ana e edukatoreve, për të cilat DKA në Prishtinë i ka filluar vizitat më të shpeshta nëpër institucionet e arsimit parafillor.

Në internet kohëve të fundit kanë qarkulluar edhe video të ndryshme të dhunës në për shkolla, për të cilat ende nuk është marrë asnjë veprim ndëshkues.

Zhbogar, shefi i zyrës së BE-së apo president i serbëve të Kosovës?! – Nga Florim Zeqa

Shantazhet që në vazhdimësi u bënë drejtuesve shtetëror, depuetëve të kuvendit dhe kryetarëve të komunave, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar,  janë sa të vrazhda po aq të dëmshme për shumicën shqiptare dhe të ardhmen e shtetit tonë.
Samuel Zhbogar në Kosovë, përveqse Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, me mbrojtjen me përkushtim të identitetit, trashëgimisë dhe territorit të paqënë serb,…më tepër po paraqitet në rolin e president të serbëve të Kosovës!
Serbët me  ndihmën dhe përkrahjen e Zhbogarit e “shpërfillën” në tërërsi Pakon e Ahtisarit, me ndarjen administrative të qytetit të Mitrovicës, respektivisht  vendosjen e kufijëve administrativ në mes të Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore.
Serbët, me përkrahjen e qeverisë serbe dhe  të shefi të zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, përveqse fortofikuan “Parkun e Paqes” mbi Urën e lumit Ibër, filluan projektin tjetër kolonizues të veriut me të ashtuquajturen “Lugina e Diellit”.
Pakoja e Ahtisarit, mister i pazbualuar!
Siq po vërtetohet katërçipërisht, e ashtuquajtura “Pako e Ahtisarit” për pavarësimin e shtetit tonë, po na del të jetë pak më tepër se kompromis i dhimbshëm. Viteve të fundit është shndrruar në pako komprometuese të shtetit të Kosovës.
Ashtu si Pakoja e Ahtisarit, edhe ndarja e Mitrovicës nuk ishte e rastësishme,  por e planifikuar dhe koordinuar mirë nga Serbia, Rusia dhe një pjesë tjetër e bashkësisë ndërkombëtare e instaluar në Kosovë.
Cila në të vërtetë ishte pakoja e Ahtisarit për pavarësimin e Kosovës?  Kush ishte ideatori i parë i ndarjes së qytetit të Mitrovicës në dysh? Cilat janë hartat e ndarjes administrative të Mitrovicës? A i kanë parë hartat ndarëse të Ahtisarit liderët shtetëror, nëse po, pse heshtin? Çfarë mund të themi ne që nuk i kemi parë hartat e kufinjëve të Ahtisarit? Si do të përmbyllet demarkacioni me fqiun tonë verior-Serbinë? Apo ndoshta demarkacioni me Malin e Zi është më pak i dhimbshëm apo vetëm mjegull e sajuar për gllabërimin e fshatrave të tëra shqiptare në veri të vendit nga Serbia?
Janë këto dhe shumë pyetje të tjera, në të cilat duhet të përgjigjen liderët shtetëror dhe grupi negociator në bisedimet e Brukselit.
Edhe përkundër premtimeve dhe vullnetit të kryetarit të Mitrovicës, zotit Agim Bahtiri për hapjen e Urës mbi lumin Ibër për qarkullim të lirë të qytetarëve me 15 qershor, ajo vazhdon të mbetët e mbyllur dhe e fortifikuar me rrethoja të hekurta!
Kush janë sabotuesit e vërtetë të mbylljes së Urës mbi lumin Ibër?!
Është kjo një pyetje, e cila kërkon elaborim më të zgjeruar. Përveq Beogradit zyrtar, bllokimi i urës më tepër iu konvenon grupeve të interesit andej dhe këndej Urës.
Grupet e interesit të lidhur me oligarkët e pushtetit, urën e bllokuar e përdorin  vetëm si “alibi” për kontrabandimin e mallërave dhe derivateve tjera (karburantëve, narkotikëve, etj) nga pjesa veriore në pjesën jugore.
Përgjatë këtyre viteve i “provuam” të gjitha mundësitë tona për të bindur (frikësuar) pushtuesin tonë verior të na lë Mitrovicën, por kot!
Atë që nuk mundi ta bëjë shumë vite më parë ylli i muzikës shqiptare, e madhja Shkurte Fejza me këngën; “Jo nuk ndahet Mitrovica”,…provuan ta bëjnë edhe liderët tonë përmes fushatave zgjedhore disa herë në vazhdimësi, përderisa në zgjedhjet e fundit parlamentare as që humbën kohë të merren me Mitrovicën, jo shkaku i kohës së shkurtër të fushatës,…për më tepër shkaku i konsumimit të kësaj çështje në fjalorin e tyre politik.
Po i kthehem edhe një herë mesazhit të fuqishëm që shpërndau këngëtarja jonë  e mirënjohur, në vargun e saj më kulmor në këngën e saj; “pa u farue me djem e qika, jo nuk ndahet Mitrovica”.
Ky varg, për më tepër se mesazh, duhej të ishte si kushtrim mbarëkombëtar, mirëpo në kohën kur u lansua kjo këngë, mesazhi i saj duket të ketë qenë pak sa i vonuar, madje do të thosha edhe shqetësues për “bartësit” e luftës, tashmë të akomoduar mirë nëpër institucione shtetërore, të zhytyur thellë në luksin përrallor që ua solli liria!
Një situatë e tillë e krijuar e komandantëve (varfanjak) të shndrruar në milionierë, u bë shkak për irritim dhe thyerje shpirtërore të shumë prej ish luftëtarëve të lirisë, të cilët 17 vjet nga përfundimi i luftës të vetmin shpëtim ekzistencial për familjet e tyre e kanë nga statusi diskriminues i veteranit.
Heronjë të gjallë të (vetëm) asaj toke janë ata pak banor shqiptar të mbetur në pjesën veriore, që me prezencen e tyre fizike janë duke u munduar t’i dalin zot trojeve te veta stërgjyshore, përderisa liderët politik me hipokrizi sillen ndaj tyre duke ju thënë “jo nuk ndahet Mitrovica”, duke mos e bërë as hapin më të vogël politik e juridik për bashkimin e asaj pjese.
Në anën tjetër, serbët me modifikimin (ndryshimin) e pamjes së barrikadave mbi urën e lumit Ibër na rikujtojnë se aty përfundon sovraniteti i shtetit të Kosovës.
E gjithë loja e serbëve me barrikada po bëhet para syve të opinionit vendor dhe ndërkombëtar. Janë serbët, varrëmihësit e shqiptarëve që s’ka kush t’i ndalë me lojërat djallëzore të tyre,…që për më tepër se lojë është provokim dhe tallje me  shqiptarët  e anës tjetër, të ndarë dhe përqarë në luftën për pushtet në gjysëm shtet!
Politikan të të gjitha ngjyrave, mos yryshi për pushtet, sovraniteti i shtetit përfundon tek Ura, vraponi, mos u ndalni o burra!

Mustafa ende s’e ka liruar nga detyra Ministrin e akuzuar

Isa Mustafa po vazhdon ta ketë në kabinetin e tij një Ministër mbi të cilin rëndojnë akuza zyrtare të Prokurorisë se ka keqpërdorur detyrën e tij. Fjala është për Ferid Aganin, aktualisht, Ministër i Planifikimit Hapësinor, të cilit i është ngritur aktakuza të mërkurën e javës së kaluar.

Agani i ka shkruar Shefit të tij kërkesë për lirim nga detyra, por letrën e tij ende s’e ka nënshkruar Isa Mustafa.

Shefi i Qeverisë ende s’e ka thënë asnjë fjalë për vartësinë e tij i cili me aktakuzë po vazhdon të ushtrojë pozitë të lartë në Qeveri.

Zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu, s’është përgjigjur të dielën thirrjeve të gazetës.  Por, një ditë më parë, Abdullahu ka thënë për media tjera se Kryeministri është duke pritur të konsultohet me PDK’në e PD për të liruar pastaj Aganin nga detyra.

Agani, në një intervistë për REL, ka thënë se s’është interesuar të mbajë pozitë të lartë në Qeveri në kohën sa përballet me akuzën e Prokurorisë. Ka thënë se do të dalë i pafajshëm pasi s’ka bërë asnjë veprim të jashtëligjshëm.

Bashkë me Ferid Aganin, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe për 63 persona të tjerë të përfshirë në vepra kriminale të keqpërdorimit me pacientë dhe me sëmundjet e tyre. Fjala është për rastin “Stenta”, ku mjekët në mënyrë të koordinuar kanë dërguar pacientë në spitale private, duke iu marrë ryshfet prej 5 deri në 5 mijë euro. Në aktakuzë janë mjekët kryesor që merren me sëmundjet e zemrës.

Shtatore gjigante e Car Lazarit lartohet në veri të Mitrovicës

Shtatore me përmasa gjigante e Car Lazarit do të ngrihet më 28 qershor, ditën e Vidovdanit në qendër të veriut të Mitrovicës.

Sipas burimeve të Kosovapressit, kjo shtatore që do të jetë ndër të parat për nga madhësia është donacion i Qeverisë së Serbisë dhe ka kushtuar qindra miliona dinarë.

“Shtatorja do të jetë 12 ose 17 metra e lartë dhe do të vendoset tek rrethrrotullimi kryesor në qendër të veriut të Mitrovicës, ndërsa, në seancën e Kuvendit Komunal të veriut të Mitrovicës do të jepet edhe formalisht drita e gjelbër për këtë çështje”, kanë thënë burimet.

Punimet në përgatitjen e vendit ku do të vendoset shtatorja është duke i realizuar një kompani nga Malisheva.

Ndryshe, sheshi i cili është duke u ndërtuar dhe ku do të vendoset kjo shtatore, mban po ashtu emrin e despotit serb ‘Car Llazar’ dhe në vijat vertikale shtrihet deri në urë, nga pjesa veriore e Mitrovicës, me çka përfundimisht ura kryesore e Ibrit do të nxirret jashtë funksionit dhe ajo më nuk do të ketë kurrfarë vlere.

Ndërkaq, në vijat horizontale, ky shesh do të shtrihet nga “Lagjja e Boshnjakëve” e deri tek “Tre rrokaqiejt”, që nënkupton se kjo zonë do të jetë e ndaluar për qarkullim të automjeteve dhe rrjedhimisht do të pamundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve nga jugu në veri dhe anasjelltas.

“Për të dalë në sheshin “Car Llazar”, duhet kaluar nëpër të ashtuquajturin “Park i paqes”. Në fakt, sheshi dhe barrikada në formë parku do të jenë ngjitas me njëra-tjetrën, me çka veriorët por edhe vet Qeveria e Serbisë synojnë ta mashtrojnë opinionin ndërkombëtar, se barrikadat tashmë janë vetëm një e kaluar”, kanë thënë për KosovaPress një politikan serb, në kushte të anonimiteti.

Komuna duhet ta zbatojë vendimin e Kushtetueses për pronat e Manastirit

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili i njeh të drejtën e pronësisë së Manastirit të Deçanit me mbi 24 hektarë tokë, duhet të zbatohet dhe nuk mund të ketë kthim prapa.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, thuhet se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë obligim dhe ato duhet të zbatohen.

Deklaratat e Ministrisë pasuan një numër reagimesh e protestash të qytetarëve të Deçanit, të organizuara nga kryetari i komunës dhe të mbështetura nga subjektet politike, të cilat kundërshtuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit.

“Lidhur me këtë çështje ka vendosur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me Aktgjykimin Nr. ref.: AGJ943 / 16, vendim i cili është përfundimtar dhe i formës së prerë.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme, prandaj edhe Komuna e Deçanit është e obliguar të zbatojë këtë vendim”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por, ndërkohë, autoritetet lokale në Komunën e Deçanit thonë se janë të vendosura që të mos e pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për pronat e Manastirit.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, tha se qytetarët e Deçanit janë të pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe siç tha ai protestat do të vazhdojnë edhe në të ardhmen kundër këtij vendimi. Selamanaj vendimin e Gjykatës Kushtetuese e quan të padrejtë dhe politik.

“Është një vendim i ndikuar nga politika. Është një vendim që nuk është dashur të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për faktin se kjo ka qenë lëndë e cila është dashur të trajtohet në Gjykatën Komunale të Deçanit dhe si të tillë nuk e pranojmë dhe nuk e zbatojmë se është shkelje e ligjit. Mbi të gjitha është një vendim diskriminues për faktin se Gjykata Kushtetuese e Kosovës arrin të legjitimojë një vendim të Qeverisë së Serbisë të vitit 1997”, tha Selmanaj.

Kryetari i Deçanit tha se beson që me asnjë ligj dhe me asnjë vendim nuk mund t’i falen Manastirit pronat.

“Institucionet qendrore sikur të kishin qenë në nivelin e detyrës ky vendim nuk do të ndodhte. Mirëpo duke i përkrahur në heshtje dhe në forma të tjera ja që ka ndodhur një vendim i tillë i cili duhet të kthehet mbrapa. Nëse duam ta respektojmë ligjin dhe drejtësinë në këtë atëherë këto ndërmarrje publike sikur edhe ndërmarrjet e tjera ishte dashur të dalin në privatizim. Por, meqenëse problemin e kanë shndërruar nga ai i drejtësisë në atë politik ne mbesim të hapur për zgjidhje politike. Por, zgjidhja politike në asnjë variant nuk është me i fal pronat manastirit të Deçanit”, tha Selmanaj.

Një numër deputetësh në Kuvendin e Kosovës ndërkaq, e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si diskriminues dhe të padrejtë dhe kanë kërkuar rivlerësimin e tij përmes një vendimi të Kuvendit.

Por, ndërkohë në një deklaratë të saj të mëhershme Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës duke vlerësuar se ajo ka treguar “kompetencë dhe gatishmëri për të sjellë një vendim të paanshëm me të cilin përgjithmonë mbrohet e drejta pronësore e Manastirit mbi këtë tokë”.

Dioqeza ka deklaruar se vendimi i Gjykatës është I një rëndësie të veçantë për ruajtjen e manastirit I cili gjendet në listën e objekteve të kulturës botërore të UNESCO dhe njëkohësisht ka deklaruar se “edhe në kushtet e sotme në Kosovë dhe Metohi është e mundshme që të mbrohen të drejtat dhe të ruhen interesat jetike”. (REL)

Kuvendi ratifikon mandatin e EULEX-it deri më 2018

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite tjera. Vazhdimi i këtij mandati është mundësuar përmes dy projektligjeve, të cilat përcaktojnë edhe përgjegjësitë që do t’i ketë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, i vendosur në Kosovë që nga qershori i vitit 2008.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë se për mandatin dhe përgjegjësitë e EULEX-it është negociuar me autoritetet e Bashkimit Evropian për disa muaj.

Qëllimi i vazhdimit të mandatit të EULEX-it, ka thënë Kuçi, ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve të Kosovës nga fusha e sundimit të ligjit dhe përafrimi me Bashkimin Evropian.

“Kemi pasur qëllim që në kuadër të ruajtjes së sovranitetit të kemi një sistem unik të drejtësisë, dhe besoj që kjo është e garantuar, përfshi gjyqtarët dhe prokurorët vendor dhe ata të EULEX-it, të cilët do të kalojnë përmes procedurave të Këshillit Gjyqësor dhe me emërim nga presidenti i Republikës. Kemi pasur për qëllim që menaxhimi i institucioneve të drejtësisë të bëhet nga institucionet tona”, ka thënë Kuçi.

Më pas, në kuadër të diskutimeve parlamentare, fjalën e ka marrë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Ai ka prezantuar aty edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës në raport me EULEX-in. Sipas tij, ky është një moment i rëndësishëm, kur Kosova do t’i vazhdojë mandatin misionit të Bashkimit Evropian, duke u deklaruar edhe njëherë si një vend pro-perëndimor.

Veseli ka potencuar se në fushën e sundimit të ligjit, Kosova ka treguar më pak rezultate dhe ka nevojë për mbështetje shtesë ndërkombëtare. Kurse i ka mohuar deklarimet se EULEX-i po fokusohet vetëm në luftimin e figurave të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Është qëndrim i yni i përbashkët se duhet të kemi shtet ligjor, perspektivë ekonomike dhe të njëjtën kohë duhet të kemi integrim drejt Bashkimit Evropian. Ky është një vendim i fuqishëm pro-partneritetit me Bashkimin Evropian, pro-orientimit tonë drejt BE-së”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, kryeministri i Koso vës, Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke i dhënë mbështetje vazhdimit të mandatit të EULEX-it ka thënë se ky mision do të ndihmojë në forcimin e rendit ligjor dhe drejtësisë në Kosovë.

“Ne kemi vlerësuar se EULEX-i duhet të mbetet edhe më tutje në mënyrë që të vazhdojë me lëndët që i ka sipas asaj që është përfshi në këto ligje, në mënyrë që të tejkalojmë një zbrazëti juridike që mund të krijohet. Po ashtu, që të thellojmë bashkëpunim për të forcuar sistemin e drejtësisë në vend, për të forcuar shtetin ligjor, për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka theksuar Mustafa.

Vazhdimit të mandatit të misionit evropian për sundim të ligjit i kanë dhënë përkrahje edhe Lista Serbe dhe përfaqësuesit e pakicave tjera.

Përderisa kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it dhe kompetencave që do t’i ushtrojë ky mision në Kosovë është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Glauk Konjufca ka thënë se EULEX-i, mes tjerash, i ka kontribuuar ndarjes etnike në Kosovë, si dhe ka ndihmuar në pamundësimin e shtrirjes së sovranitetit në pjesën veriore të vendit. Po ashtu, ka vijuar Konjufca, EULEX-i nuk ka ndihmuar në forcimin e shtetit ligjor, por sipas tij, me këtë mision ka ndodhur e kundërta.

“EULEX-i erdhi për sundimin e ligjit në Kosovë si dhe për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe tash tetë vite pas, që kur ka filluar të operojë në Kosovë, vendi ynë ndodhet para pengesave serioze në rrafshin e shtetit ligjor, si dhe me një korrupsion endemik, ashtu siç e quan Raporti i fundit i Progresit”, ka thënë Konjufca.

Krahas zgjatjes së mandatit të EULEX-it deri më 15 qershor 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. (REL)

Antikorrupsioni hetim pasurisë së Mustafës

Agjencia Antikorrupsion do të hetojë pasurinë e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Siç raporton Klan Kosova, në listën e zyrtarëve të lartë publikë, të cilët do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë, është edhe Zv/kryeministri, njëherazi edhe Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ashtu sikurse edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti e disa zyrtarë të tjerë.

Kontrolli i plotë i pasurisë do të përfundojë në fund të këtij viti, ku do të publikohet edhe raporti përfundimtar.

Në këtë listë përfshihen 806 formularë të zyrtarëve publikë, apo 20% e listës totale prej 3900 zyrtarëve të lartë publikë, që kanë bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë e që do t’i nënshtrohen tashmë kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë Kundër Korrupsion

Thaçi: Vatikani është afër njohjes së Kosovës

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se Vatikani është afër njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Pas takimit me Papa Françeskun në Vatikan, Presidenti tha se në një të ardhme jo të largët, beson se Kosova do të njihet si shtet nga selia e shenjtë. Thaçi edhe një herë theksoi se Kosova është shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës në mes të popujve me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike.

‘Vatikani sot na ka pritur si President i Republikës së Kosovës dhe kjo ndodh vetëm në nivel bilateral, në nivelin më të lartë. Ky nuk është takimi i parë i niveleve të tilla. Unë besoj se në momentin e duhur në të ardhmen jo të largët Vatikani do ta merr vendimin edhe zyrtarisht për njohjen e Kosovës. Prandaj dua të besoj se edhe takimi me Kardinalin i ka shërby një perspektive më të shpejtë që do të çon drejt njohjes së Kosovës nga ana e Vatikanit”, tha Thaçi për televizionin publik.

Thaçi takon Papa Françeskun

Voal – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur nga, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan, njofton kumtesa presidenciale.

Në takimin me Atin e Shenjtë, i cili ka zgjatur më shumë se gjysmë ore, presidenti Thaçi ka thënë se vlerat që përfaqëson Selia e Shenjtë, si pajtimi, paqja, bashkëpunimi dhe toleranca janë vlera për të cilat është duke u angazhuar edhe Kosova.

Presidenti Thaçi, Atin e Shenjtë e ka njoftuar edhe për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës si shtet, që ka arritur të tejkaloj faqen e hidhur të historisë së saj dhe është i kthyer nga një e ardhme në paqe, në stabilitet, në prosperitet për qytetarët e saj dhe për tërë rajonin, thuhet me tej në njoftim.

Në takim me Papa Françeskun, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është shembull në rajon dhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën mes popujve të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnike.

Gjithashtu, ai është shprehur i gëzuar që po bëhet shenjtërimi i Nënës Tereze, e cila është mishërim i vlerave universale.

Në fund të takimit, presidenti Thaçi e ka falënderuar Atin e Shenjtë edhe për përkrahjen që Vatikani i ka dhënë gjithnjë popullit të Kosovës.

Presidenti i ka dorëzuar Atit të Shenjtë edhe ftesën që të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt si dhe i shprehu dëshirën që Selia e Shenjtë të njohë shtetin e Kosovës sa më parë, thuhet në fund të njoftimit.

Thaçi: «Kush akuzohet nga Gjykata Speciale duhet të dorëzohet»

Voal – Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se angazhohet që bashkëvendësit e tij, qofshin ata edhe politikanë, duhet t’i dorëzohen Gjykatës Speciale për krime të luftës në rast se kundër tyre ngritet aktakuzë. «Duhet të dorëzohen», deklaroi Thaçi në një bisedë me agjencinë austriake të lajmeve APA. Sipas kësaj agjencie vazhdimisht është kolportuar edhe mundësia që njëri nga të akuzuarit të jetë vetë Thaçi si ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. «Gjykata Speciale, e cila në shtator do të ngre aktakuzat e para, do të merret, mes tjerash, me vrasjet e supozuara me qëllim të marrjes së organeve. Një raport i hetuesit special të Këshillit të Europës Dick Marty nga Zvicra, i publikuar më 2010, i ka përmendur së paku disa bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit në kontekst të tregtisë me organe. Thaçi, i cili prej luftëtarit është bërë kryetar, i ka hedhur poshtë këto akuza», shkruan APA.

Në bisedë me agjencinë austriake Thaçi iu shmang pyetjes nëse do të vazhdonte të mbante postin në rast se ndaj tij ngritet aktakuzë. Ai tha se si politikan nuk dëshiron të prejudikojë asgjë apo «të jap deklarata që ndikojnë procesin e drejtësisë». «Kjo Gjykatë», tha Thaçi, «është themeluar nga institucionet kosovare, me vullnet të deputetëve të parlamentit kosovar».

Kryetari i Kosovës është i mendimit se Gjykata assesi nuk  është në dëm të Kosovës, por përparësi «në mënyrë që të gjitha akuzat, të cilat sillen mbi ne si re të zeza, të sqarohen njëherë e përgjithmonë». Thaçi tha se UÇK ka zhvilluar një luftë të drejtë, por «se e kanë qenë të gjithë engjëj, këtë s’mund ta them. Është gjithsesi e mundshme se jenë bërë gabime. Natyrisht përgjegjësia është individuale. Por populli i Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë. (…) Nëse kemi shkelur ligje, atëherë ato s’janë ndërkombëtare, por ligje të Millosheviqit».

Thaçi ka paralajmëruar se Kosova «së shpejti» do të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Sipas tij ky është kriteri i fundit që duhet ta plotësojë Kosova për heqjen e vizave për vendet e Schengenit. Për këtë nuk duhet pëlqimi i opozitës, tha Thaçi, sepse koalicioni qeverisës ka dy të tretat e shumicës në parlament. (dp-lli)

Bisedime intensive për heqjen e barrikadës në Urën e Ibrit

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, paralajmëroi mundësinë e “arritjes së marrëveshjes, gjatë ditës, për largimin e Parkut të Paqes”.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i tha të enjten Radios Evropa e Lirë se bisedimet për largimin e të ashtuquajturit Park i Paqes në urën qendrore në Mitrovicë, po zhvillohen me përfaqësues të Bashkimit Evropian. Ai tha se vendimi për Parkun e Paqes mund të merret gjatë ditës së sotme, por nuk ofroi më shumë hollësi.

“Jemi duke biseduar për ketë çështje. Këtu janë përfaqësues të Këshillit të Evropës dhe nuk dua të flas me shumë. Sot pritet të merret vendimi. Jemi duke biseduar nga mëngjesi dhe kemi biseduar edhe dje. Jemi kah përfundimi dhe po punojmë fuqishëm”, tha Bahtiri për REL.

Bisedimet mes palëve për heqjen e barrikadës në urën e Mitrovicës, me ndërmjetësimin e BE-së kanë hyrë në një fazë të rëndësishme, në përfundim të afatit të përcaktuar me marrëveshjen e Brukselit. Të dyja palët kanë akuzuar njëra – tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve duke theksuar se kjo po e pengon procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Barrikada në urën mbi Ibër në Mitrovicë u vendos vite më parë, ndërkohë që qytetarë serbë të veriut të Kosovës në vitin 2014 e shndërruan urën në, siç e cilësuan, Parkun e Paqes duke e mbyllur plotësisht për qarkullim të automjeteve. (REL)

Kosova – Brukselit: S’ka Asosacion pa zbatimin e marrëveshjeve nga Serbia

Qeveria e Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian raportin periodik, i cili ofron një vlerësim mbi gjendjen aktuale sa i përket dialogut të Brukselit, i cili mbulon periudhën nga1 janari deri më 14 qershor të vitit 2016.

Ky raport vlerëson progresin e përgjithshëm dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit si dhe trajton secilën marrëveshje në aspekt të detyrimeve të palëve përkatëse të marra gjatë dialogut të Brukselit.

Raporti është i nënshkruar nga Ministrja për dialog, Edita Tahiri, njëherësh Kryenegociatore në Dialogun e Brukselit.

Njoftimi i plotë i Zyrës së Kryeministrit të Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës i kushton rëndësi të madhe dialogut të Brukselit  sepse ky dialog kontribuon në paqe dhe stabilitet në rajon, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal, si dhe kontribuon në avancimin e qëllimeve tona drejt integrimit euroatlantik të Kosovës për të mirën e qytetarëve.

Dialogu i Brukselit ka kontribuar në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian. Kosova filloi rrugëtimin e saj zyrtar drejt integrimit në BE me rastin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, marrëveshje kjo e cila ka hyrë në fuqi në prill të këtij viti. BE-ja ka marrë vendim për rekomandimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke realizuar kështu ëndrrën e tyre për lirinë e lëvizjes, si evropianët më të rinj. Këto janë arritje të mëdha të cilat e vërtetojnë suksesin e Kosovës në përmbushjen e standardeve të kërkuara evropiane, njëkohësisht marrim përsipër më shumë përgjegjësi dhe motivim më të madh për t’i çuar përpara reformat evropiane në vend.

Në aspektin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit, kjo periudhë raportuese nuk ka shënuar ndonjë përparim substancial. Kosova ka qenë efektive në përmbushjen e detyrimeve të saj dhe ka bashkëpunuar ngushtë me BE-në për ta çuar përpara procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Megjithatë, e njëjta nuk mund të thuhet edhe për Serbinë e cila praktikisht ka bllokuar procesin e zbatimit, duke mos bërë ndonjë lëvizje të rëndësishme në përmbushjen e detyrimeve të saj. Kjo sidomos në lidhje me marrëveshjen  për kodin shtetëror për Kosovën dhe marrëveshjen për funksionimin e pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), të dyja këto marrëveshje janë bllokuar nga Serbia. Këto dy marrëveshje janë të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe kanë qenë në tryezën e negociatave për më shumë se pesë vjet. Serbia ka vonuar edhe heqjen e barrikadës (“Parkut të paqes”) nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për shkak se BE-ja nuk ka qenë në gjendje të fillojë revitalizimin e urës, për të cilën është rënë dakord të përfundojë jo më vonë se në qershor të vitit 2016. Si përgjigje ndaj këtyre bllokadave, Kosova nuk ka ndërmarrë ndonjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin.

Më 1 mars të këtij viti ishte rënë dakord që ITU-ja të ndaj kodin shtetëror telefonik për Kosovën (383). Austria ka aplikuar me kohë për kodin shtetëror telefonik të Kosovës në ITU (në janar të këtij vitit). Kosova i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj rreth zbatimit, por Serbia bllokoi procesin duke mos përmbushur pjesën e saj të obligimeve.

Sa i përket energjisë, më 1 tetor të vitit 2015, Kosova/KOSTT nënshkroi marrëveshjen me ENTSO-E, një marrëveshje që përcakton që KOSTT të operojë si një sistem i pavarur i transmisionit, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për energjinë. KOSTT duhej të fillonte së operuari si një sistem i pavarur që në muajin shkurt, megjithatë, Serbia ka bllokuar këtë proces pasi që nuk ka arritur të regjistrojë një kompani të re për furnizim me energji elektrike në pajtim me ligjin e Kosovës, siç parashikohet nga marrëveshja për energjinë.

Padyshim, Serbisë i mungon vullneti politik për ta respektuar marrëveshjet e Brukselit për telekomin dhe energjinë, gjë për të cilën dëshmon historia pesëvjeçare e negociatave për këto dy çështje. Pa rezultate ka qenë edhe përpjekja e fundit për rrugëdalje nga BE-ja, përmes marrëveshjeve të 25 gushtit të vitit 2015, marrëveshje të cilat kishin për qëllim përshpejtimin e zbatimit të marrëveshjeve për telekom dhe energji, të nënshkruara në vitin 2013. Asnjë justifikim që Serbia mund të përpiqet ta paraqesë duke përdorur pretekstin e zgjedhjeve në Serbi të mbajtura më 24 prill të këtij viti nuk qëndron, sepse afatet zbatuese (në fakt, afatet e zgjatura) kanë qenë para periudhës së zgjedhjeve atje.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka informuar rregullisht BE-në për bllokadat e lartpërmendura nga Serbia dhe, megjithëse kemi kërkuar nga BE-ja që të shtoj përpjekjet e saj për zhbllokimin e këtij procesi, për fat të keq nuk është arritur ndonjë progres deri më tani. Ana pozitive është se BE-ja ka njohur performancën e Kosovës në përmbushjen e obligimeve zbatuese. BE-ja ka bërë të gjitha përpjekjet për zhbllokimin e procesit dhe po vazhdon ta bëjë këtë. Për këtë qëllim, BE-ja ka organizuar disa takime teknike në Bruksel në përpjekje që të arrihet një përparim drejt zbatimit, por, këto takime vetëm sa treguan edhe një herë mungesën e vullnetit politik nga ana e Serbisë për t’i përmbushur detyrimet e saj.

Si përgjigje ndaj bllokadave të Serbisë, Kosova e ka bërë të qartë se nuk do të ndërmerr asnjë veprim për zbatimin e Marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, para se Serbia të heq bllokadën për kodin telefonik për Kosovën dhe funksionimin e pavarur të KOSTT-it, si dhe para se të largohet barrikada nga Ura e Ibrit në Mitrovicë.

Qeveria e Kosovës deklaron se sapo të largohen bllokadat e lartpërmendura, do të zbatojë detyrimet e saj lidhur me zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin. Asociacioni nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive dhe nuk duhet të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë, për shkak se kjo nuk përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet përkatëse të Kosovës. Rrjedhimisht, statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe me Vendimin e 26 dhjetorit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese. Pajtueshmëria e Marrëveshjes për Asociacionin me Kushtetutën e Kosovës parashikohet në pikën 2 të kësaj Marrëveshje. Qeveria e Kosovës e sheh Asociacionin si një strukturë ligjore që do t’i ndihmojë komunat për t’i koordinuar më mirë çështjet komunale dhe të ndihmojë në riintegrimin e komunitetit serb në sistemin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës e ka bërë të qartë se themelimi i Asociacionit është i kushtëzuar me shpërbërjen e plotë dhe të verifikuar të strukturave paralele të mbetura të Serbisë në Kosovë. Asociacioni nuk mund të themelohet në një situatë që vazhdon të jetë paradoksale ku në të njëjtën kohë veprojnë komunat legale si dhe ato ilegale, sidomos në veri të Kosovës.

Ne vërejmë me shqetësim se Serbia vazhdon të mbështesë aktivitetet e strukturave të saj paralele në komunat e Kosovës duke shkelur kështu Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Përveç kësaj, Serbia vazhdon të ndërhyjë në komunat legale në veri të Kosovës duke i penguar ato që të funksionojnë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës. Këto komuna nuk i kanë miratuar ende simbolet dhe vulat e përcaktuara me ligjet e Kosovës dhe madje as buxhetet e tyre nuk janë në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës, në përpjekje për ta mbajtur sektorin e arsimit dhe shëndetësisë jashtë financimit nga buxheti i Kosovës.

Në mënyrë të ngjashme, liria e lëvizjes në Urën e Mitrovicës nuk është vendosur ende. Largimi i barrikadës dhe rivitalizimi i Urës së Mitrovicës i paraparë që të përfundohet në fund të qershorit të vitit 2016 nuk ka shënuar ndonjë progres të dukshëm për shkak të pengesave nga Serbia. Zyra e BE-së në Kosovë, e cila është përgjegjëse për rivitalizimin e urës nuk ka filluar punën ende, siç parashihet në marrëveshjen e Brukselit të 25 gushtit të vitit 2015. Serbia është duke u përpjekur ta pengojë këtë çështje duke mos lejuar kryetarin e  Mitrovicës veriore që ta nënshkruajë një Memorandum të Mirëkuptimit me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që do të konfirmonte se vija administrative midis Mitrovicës jugore dhe veriore, është në përputhje me Ligjin e Kosovës.

Në tetor të vitit 2016 është planifikuar të mbahet regjistrimi i popullsisë në katër komunat veriore. Ne kërkojmë mbështetje nga BE-ja për të siguruar që Serbia nuk do ta pengojnë procesin. Në fillim të vitit 2014 ishte arritur marrëveshja për regjistrim në këto komuna, në mes të kryetarëve ligjor të këtyre komunave dhe Qeverisë së Kosovës, me praninë e Ambasadës Amerikane dhe Zyrës së BE-së, në këmbim të lejimit që këto dy komunat ta rrisin numri i këshilltarëve komunal pasi u ankuan se numri aktual nuk reflekton proporcionalitetin e popullsisë së këtyre dy komunave (Zveçanit dhe Zubin Potokut). Megjithatë, kryetarët e këtyre katër komunave, të ndikuar negativisht nga Serbia, nuk janë duke bashkëpunuar në këtë çështje. Qeveria ka miratuar projektligjin për regjistrimin e popullsisë dhe Kuvendi i Kosovës është në proces të miratimit.

Për më tepër, duhet theksuar se Serbia po shkel parimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të përcaktuara në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 (Pika 14) duke përdorur një qasje destruktive dhe anti-evropiane kundër integrimit të Kosovës në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, siç ishte rasti i UEFA, FIFA dhe më herët UNESCO. Megjithatë, Kosova fitoi mbështetjen e shumicës dhe u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA. Kosova u anëtarësua në Gjykatën e përhershme të arbitrazhit më 14 qershor 2016, përkundër përpjekjeve kundërshtuese të Serbisë, si dhe një numër të organizatave ndërkombëtare.

Zhvillime pozitive janë shënuar në procesin e finalizimit të zbatimit të marrëveshjeve për çështjet që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe të ashtuquajturën “mbrojtja civile”, rreth ndërtimit të objekteve të përhershme të MIK (IBM), etj.

Sa i përket “Mbrojtjes civile”, zbatimi pothuajse ka përfunduar, kjo strukturë ilegale është shuar më 11 janar 2016, ish personeli i saj është integruar në institucionet civile të Kosovës në nivelin qendror. Nga gjithsej 483 persona, 433 kanë nënshkruar kontratat e punës me Qeverinë e Kosovës dhe 50 tjerët janë në proces të nënshkrimit të kontratës.

Lidhur me drejtësinë, Kosova është duke e finalizuar procesin e konsolidimit të sistemit unitar të drejtësisë në komunat veriore të vendit, ku do të vendosen një gjykatë themelore dhe një zyre prokurorie për t’i shërbyer shtatë komunave, në përputhje me ligjet e Kosovës, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit. Strukturat paralele të drejtësisë janë mbyllur dhe ish personeli i tyre është duke u integruar në sistemin e drejtësisë në Kosovë (si gjyqtarë, prokurorë dhe staf administrativ).

Në këtë periudhë është arritur një marrëveshje e re për njohjen reciproke të certifikatave të import-eksportit të mallrave të rrezikshme (certifikatave ADR), një marrëveshje e cila është duke u zbatuar në tërësi.

Ende ka çështje të pazgjidhura për t’u zbatuar, sidomos në fushën e lirisë së qarkullimit, çështje e cila mbetet të trajtohet në periudhën e ardhshme.

Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i marrëveshjeve është kyç për suksesin e këtij dialogu. Kërkojmë nga BE si lehtësuese dhe garantuese e Marrëveshjes së Brukselit që të kërkojë qëndrueshmëri dhe efektivitet të palëve ndaj detyrimeve të tyre të zbatimit, si e vetmja rrugë që çon në arritjen e qëllimeve të dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve. Mendojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të përparojë duke siguruar mosndërhyrje në sovranitetin e njëri-tjetrit, pra duke detyruar Serbinë që të ndal ndërhyrjet në Kosovë përmes shpërbërjes së strukturave të saja paralele të mbetura në Kosovë.

E vlerësojmë lartë përkrahjen e BE-së dhe rolin e saj lehtësues në këtë dialog, si dhe mbështetjen e plotë nga SHBA-ja, Gjermania dhe të gjitha vendet e tjera anëtare të BE, thuhet në fund të kësaj përmbledhje ekzekutive të nënshkruar nga Ministrja për Dialog Edita Tahiri.

Ky Raport është publikuar në webfaqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit.

Rrihet barbarisht dëshmitari kryesor në rastin e Enver Zymberit (dokumenti – fotot)

Njëri nga dëshmitarët kryesorë për vrasjen e policit Enver Zymberi, Sllobodan Vuçiniçi, është rrahur barbarisht nga disa persona, ndërsa për shkak të plagëve dhe gjendjes së tij të rëndë, është dërguar për trajtim mjekësor në Beograd, bëjnë të ditur burime të KosovaPressit.

Ngjarja ka ndodhur më 12 qershor rreth orës 21:30 në kafenenë ‘Dukat’, në Zubin Potok.

Sipas këtyre burimeve, viktima fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Zubin Potok, për t’u transportuar më vonë në shok-dhomën e repartit të kirurgjisë të Spitalit në veri të Mitrovicës, ndërsa të martën është dërguar me urgjencë në Beograd.

Bëhet e ditur se gjendja e tij shëndetësore është shumë e rëndë dhe në rrezik për jetën.

Burime të KosovaPress-it më tej kanë shtuar se dërgimi i viktimës për në Beograd është bërë qëllimshëm, ku janë përfshirë edhe pjesëtarë të BIA-s (Shërbim i Inteligjencës së Serbisë), vetëm për t’u eliminuar dëshmitari.


Mësohet po ashtu se policia në veri lidhur me këtë ngjarje, ka intervistuar vëllezërit Urosh dhe Millovan Bozhoviq.

Ja dëshmia:

“Me të kuptuar se Sllobodan Vuçiniq është dëshmitar i mbrojtur në rastin e vrasjes së Enver Zymberit, është organizuar sulmi ndaj viktimës, ku njëri nga organizatorët kryesor të sulmit dyshohet të jetë Miodrag Llekiq, aktualisht pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri, i cili bartë gradën e kapitenit dhe është njëri nga personat më me ndikim në strukturën komanduese të policisë për rajonin e veriut”, kanë thënë burimet.

Ndryshe, kapiteni Miodrag Llekiq së bashku me vëllain e tij Millan Llekiq, po ashtu pjesëtar i policisë në veri, ishin suspenduar nga detyra për disa muaj gjatë vitit të kaluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë, për shkak të hetimeve ndaj tyre që u zhvilluan në lidhje me vrasjen e Enver Zymberit.

rrb2rrb3rrb4rrb5rrb6

Jakup Krasniqi kërkon dorëheqjen edhe të Qeverisë

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se qeveria është fajtore për parametrat e vendosjes së kufirit me Malin e Zi.

Ai ka thënë se kufiri nuk caktohet me kadastër, dhe kjo nuk është dashur të jetë element bazë për shënimin e kufirit.

Kransiqi ka thënë se askush më mirë se qytetaret nuk e dinë për vijën e kufirit.

Sipas tij, presidenti por edhe kryeministri janë ngutur duke thënë gjithçka ka qenë në rregull, por sot gjërat kanë ndryshuar dhe duhet bërë një rishikim i këtij kufiri.

Ai ka thënë në televizionin Rrokum se presidenti dhe kryeministri për përgjegjësinë që e kanë duhet të japin dorëheqje dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

S’mjafton dorëheqja e Komisionit për Demarkacion, duhet të largohet Qeveria, ka thënë Krasniqi.

Kransiqi ka thënë se deputetët që kanë thënë se vija kufitare me Malin e Zi e dëmton vendin, duhet ta mbajnë fjalën e tyre dhe të mbajnë përgjegjësi për vlerësimin që e kanë thanë.

“Sa i përket Luginës së Diellit, kjo është pasojë e marrëveshjeve të Brukselit, sidomos ato të 19 Prillit dhe 25 Majit”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se nëse këta janë ende në pushtet do të kemi edhe më shumë dëme për Kosovën.

Ai ka thënë se e vetmja mënyrë është pastrimi i këtyre njerëzve dhe shkuarja e vendit në zgjedhjet e parakohshme.

Sipas tij, opozita e bashkuar ka arritur të ndalë Demarkacionin dhe Asociacionin, duke shtuar se kthimi i Vetëvendosjes nuk është dashur të ndodhte pa një debat mes vete, ngase kauzat aty kanë qenë të përbashkëta.

Ai ka folur edhe për sistemin e drejtësisë, duke thënë se nuk është duke funksionuar, e duke shtuar se edhe loja që po bëhet me EULEX’in është në vazhdën e favoreve të tyre politike, se sa në të mirë të mirëqenies se qytetareve.

Edhe Komuna e Deçanit bën thirrje për protestën e nesërme

Aktgjykimi i fundit (20.05.2016) i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i cili legjitimon Vendimin e Qeverisë së Serbisë të vitit 1997, për faljen e pronave të dy ndërmarrjeve publike, APIKO dhe ILIRIA, Manastirit të Deçanit, ka nxitur reagime të institucioneve dhe qytetarëve të Deçanit.

“Pas këtij Aktgjykimi, Kuvendi Komunal në një Seancë të jashtëzakonshme, ka kundërshtuar Vendimin ë Kushtetueses, të cilin e konsiderojnë politik dhe të dëmshëm për deçanasit. Këshilltarët komunal, duke parë seriozitetin e gjendjes së krijuar dhe pakënaqësitë qytetare, ka formuar një Komision Komunal të kryesuar nga Kryetari i Komunës, z.Rasim Selmanaj, e në të cilin janë edhe përfaqësuesit e subjekteve politike që janë pjesë e legjislativit (AAK, LDK, PDK)”, thuhet në komunikatën e Komunës së Deçanit, transmeton Koha.net.

Komisioni Komunal, sipas po të njëjtës komunikatë, në kuadër të aktiviteteve kundërshtuese të aktgjykimit të Kushtetueses, (pos aktiviteteve tjera), ka planifikuar të organizon edhe një “Protestë gjithë popullore”, e cila organizohet me 16.06.2016 (E enjte), në qendër të Deçanit, duke filluar nga ora 12.00.

Dekriminalizimi i politikës, farsë apo realitet?! – Nga Florim Zeqa

Pushtetarët aktualë dekriminalizimin janë duke e përdoruar vetëm si slogan politik, për shtrirjen gjithnjë e më shumë të rrjetit kriminal në institucionet e pavarura të shtetit. Andaj, qytetarët e Kosovës e kanë të vështirë t’u besojnë deklarimeve të liderëve shtetërorë për dekriminalizimin e politikës, për disa arsye. I pari, Hashim Thaçi i kaloi dy mandate e gjysmë si kryeministër i vendit, nën premtimet për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. I dyti, Isa Mustafa, edhe më keq, duke e ndihmuar të parin (Hashim Thaçin), erdhi në pushtet përmes intrigave dhe mashtrimeve deri në tradhtimin e kauzës së përbashkët opozitare për largimin e kapësve të shtetit nga pushteti.
Për këto arsye është rrezik që liderët shtetërorë të vazhdojnë lojën me fjalë, duke ndryshuar sloganin politik, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni në dekriminalizim politik. Që dekriminalizimi të mos përdoret vetëm si slogan politik nga pushtetarët kosovarë, Evropa dhe Amerika duhet t’u vënë limite kohore liderëve tanë shtetërorë në përmbushjen e premtimeve,…ndryshe mund t’i kalojnë mandatet politike pa bërë asgjë në atë drejtim, siç ndodhi përgjatë këtyre tetë viteve të fundit me korrupsionin në vend. Jo vetëm që nuk u luftua, mori përmasa alarmante, duke u shndërruar në sindromë kancerogjene të shtetit të Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.
Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament
Prandaj, vetëm përmes një presioni të fuqishëm ndërkombëtar, mund të kemi përmirësime në sundimin e ligjit në Kosovë. Mund të fillojë suksesshëm procesi i gjatë i dekriminalizimit të politikës dhe depolitizimit të institucioneve të pavarura të shtetit. Dekriminalizimi i politikës dhe depolitizimi i institucioneve të pavarura, janë dy procese të ndërlidhura me njëri-tjetrin,…për zbulimin e prejardhjes dhe konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Të parët, që do duhej t’i ndiejnë efektet e dekriminalizimit janë oligarkët e pushtetit (uzurpatorët e shtetit), pastaj edhe klanet politike dhe grupet mafioze brenda disa partive opozitare në vend. Dekriminalizimi duhet të fillojë në Parlament, sepse nuk mund të zhvillohet shteti, kur kriminelet i bëjnë ligjet e atij shteti. Parlamenti i Republikës së Kosovës që moti e ka humbur funksionalitetin, qëllimin dhe misionin e tij, kështu i përgjysmuar, jo vetëm që nuk i ngjan më një parlamenti, është shndërruar në instrument të grupeve të interesit, për konsum të brendshëm politik.
Mungesa e reformave gjyqësore
Mungesa e reformave gjyqësore e ka bërë të pamundur dekriminalizimin e gjykatave, prokurorisë dhe segmenteve të tjera përcjellëse: policisë hetimore dhe shërbimeve të tjera të sigurisë në vend. Përderisa politika kriminale synon mbajtjen e pushtetit të dhunës përmes parasë, përmes korrupsionit dhe presionit mediatik, vështirë të priten rezultate pozitive në dekriminalizimin e politikës në veçanti dhe shoqërisë njerë- zore në përgjithësi. Pushtetarët kanë arritur t’i kriminalizojnë edhe një pjesë të medieve në Kosovë, me qëllim të promovimit të “vlerave” dhe manipulimit të vazhdueshëm të opinionit publik me të pavërteta rreth marrëveshjeve të Brukselit, Demarkacionit dhe zhvillimeve të tjera që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit tonë. Andaj, pa dekriminalizimin e medieve nuk mund të bëhet fjalë për dekriminalizim të shoqërisë dhe as të institucioneve të shtetit të Kosovës. Mediet nën kontrollin qeveritar janë produkt i një mendësie të bazuar në praktikat e regjimeve diktatoriale. Pushtetarët, me kontrollin ndaj medieve kanë krijuar aleatë të fuqishëm për shtrembërimin e realitetit, tjetërsimin e së vërtetës dhe paraqitjen e gënjeshtrës si të “vërtetë”! Se a kemi të bëjmë vërtet me presion ndërkombëtar për dekriminalizimin e politikës apo me farsë politike të liderëve tanë shtetërorë, mbetët të shihet në javët dhe muajt në vazhdim.

‘Lugina e Diellit’ hedh shtat mbi gërmadhat e shtëpive të shqiptarëve

Aty ku nisi ndërtimi i 300 shtëpive të lagjes “Lugina e Diellit” në Zveçan, shumë shqiptarë kishin shtëpitë e tyre, raporton KTV.

Serbët e asaj ane i dëbuan duke ua shkatërruar shtëpitë. Derisa tash Qeveria e Serbisë në të njëjtin vend mendon për t’i kthyer serbët e shpërngulur në Serbi.

Të mllefosur me këtë nismë, aktivistë të Iniciativa Qytetare për Veprim nga Mitrovica përmes fotografive në të cilat shiheshin ish-shtëpitë e shqiptarëve protestuan para qeverisë.

Bujar Voca fajëson kryeministrin Isa Mustafa, i cili, sipas tij, po qëndron duarkryq dhe nuk po lëviz që të ndalojë realizimin e këtij projekti.

Aktivistët nuk e kanë ndërmend ta ndalen me kaq. Ata kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera ditët në vazhdim.

EULEX i riprogramon përkohësisht procedurat gjyqësore në Kosovë

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë i ka riprogramuar të gjitha procedurat gjyqësore deri në përfundimin e të gjitha procedurave që ndërlidhen me vazhdimin e mandatit të këtij misioni.

Një zëdhënëse e misionit të EULEX-it, Dragana Nikoliq – Solomon, i tha Radios Evropa e Lirë se ky vendim është një masë parandaluese.

“Mandati i misionit është zgjatur nga Këshilli i Bashkimit Evropian më 14 qershor. Megjithëkëtë bisedimet ndërmjet BE-së dhe Qeverisë së Kosovës po vazhdojnë ende. Për këtë, si masë parandaluese me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të të gjitha palëve, të gjitha procedurat janë riprogramuar me qëllim që të drejtat e njeriut të të gjithëve që janë të përfshirë të mos shkelen”, tha Nikoliq Solomon.

Mandati i misionit të BE-së për sundimin e ligjit ka skaduar më 14 qershor pas dy vjetësh, dhe autoritetet në Prishtinë në biseda me BE-në kanë arritur një marrëveshje për zgjatjen e tij prej dy vitesh, deri më 2018.

Qeveria e Kosovës i ka dhënë mbështetje misionit, por mbetet që Kuvendi i Kosovës ta miratojë vendimin për zgjatjen e mandatit. Vlerësohet se çështja e kompetencave të misionit në fushën e luftimit të korrupsionit dhe të krimit të organizuar ka bllokuar për disa ditë zgjatjen e mandatit.

Misioni i EULEX-it është më i madhi mision në historinë e BE-së dhe ai u shtri në territorin e Kosovës me ftesë të institucioneve të vendit pak ditë para shpalljes së pavarësisë më 2008.

Ai ka patur kompetenca ekzekutive në fushën e krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe njëkohësisht i ka ndihmuar institucionet e drejtësisë në vend të ngrisin kapacitetet. (REL)

Mustafa: U arrit marrëveshja për vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Foto nga arkivi, Kryeministri Isa Mustafa dhe Përfaqësuesja e BE-së, Federica Mogherini

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë finalizuar marrëveshjen për vazhdimin e mandatit të EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit) edhe për dy vite tjera.

Konfirmimin për këtë marrëveshje e ka kumtuar vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili ka thënë se të martën kjo çështje është dakorduar, kurse miratimi në Kuvend pritet të merret të enjten.

“Presim ta marrim këmbimin e letrës nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, pastaj do të mbajmë një takim të Qeverisë dhe nesër (të enjten) mendojmë t’ia dërgojmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim”, ka deklaruar Mustafa në mbledhjen e qeverisë.

EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ky mision ka trashëguar një pjesë të kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK.

Letër Kuvendit të Kosovës: Mos e ratifikoni Demarkacionin

Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i kanë dërguar një letër Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga ligjvënësit që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Ata kërkojnë formimin e një komisioni i ri qeveritar ku do të jenë anëtarë dhe përfaqësues të brezit kufitar

Përfaqësuesit e rajonit të Rugovës i janë drejtuar me një letër Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të mos ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi për Demarkacionin e kufirit. Në një takim të përbashkët në emër të komunitetit rugovas ata kanë nënshkruar letrën të cilën ia kanë drejtuar sidomos deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku kanë arsyetuar pse nuk duhet të ratifikohet Marrëveshja dhe pse nuk do ta pranojnë rugovasit.

Në këtë letër ata kanë kërkuar të mos ratifikohet Marrëveshja duke u bazuar në interesat lokale dhe nacionale të rugovasve, të drejtën e pakontestueshme historike, të drejtën pronësore, juridike e kadastrale të territorit të tyre shumëvjeçar, duke u bazuar në metodologjinë e gabuar të verifikimit të fakteve.

Konfirmohet anëtarësimi i Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit

Ministria e Jashtme e Kosovës përmes një komunikate e ka konfirmuar pasditën e së martës pranimin e vendit në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë, të cilën e konsideron “një ndër organizatat më prestigjioze dhe më të vjetra ndërshtetërore”.

“Republika e Kosovës tashmë zyrtarisht është anëtarja e 121 me të drejta të plota e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Holandë. Anëtarësimi në këtë institucion ndërkombëtar është një arritje shumë e rëndësishme”, ka thënë ndër të tjera MPJ e Kosovës në këtë komunikatë.

Komunikata e citon edhe kryediplomantin kosovar, Enver Hoxhaj, duke thënë se “me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta bllokuar procesin që nga janari, nga votat e shteteve anëtare u konfirmua edhe zyrtarisht pranimi i Kosovës në këtë organizatë”.

Komunikata vlerëson se “anëtarësimi në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit do ta ndihmoj Kosovën në aspektin ekonomik sepse do të ofroj siguri për sipërmarrësit e huaj për të investuar në vendin tonë, pasi që kjo gjykatë do t’iu mundësoj investitorëve të jashtëm që kontratat me Republikën e Kosovës t’i bëjnë duke parashikuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga Gjykata e Arbitrazhit”.

Atlasi gjeografik i vitit 1961: Kufiri i Kosovës është në Çakorr (Hartat)

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, gjithnjë sipas këtij Atlasi është: Starac 2426 m, Çakorr 1849 m, Planinica 2077 m, Dramodol 2119 m, Shtedin 2274 m.

Sipas Atlasit gjeografik të ish Jugosllavisë i botuar në vitin 1961 në Zagreb, vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi përcaktohet të jetë deri në Çakorr.

Harta me numër 32 e këtij Atlasi, pika kufitare është në majën më të lartë të Zhlebi.

Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, gjithnjë sipas këtij Atlasi është: Starac 2426 m, Çakorr 1849 m, Planinica 2077 m, Dramodol 2119 m, Shtedin 2274 m.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi ka mbetur pezull pasi që opozita po e kundërshton raportin final të komisionit qeveritar.

Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit është kushti kryesor që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

hartakosovavp2


Send this to a friend