VOAL

VOAL

Fajon: Së pari ratifikimi i Demarkacionit pastaj liberalizimi i vizave

Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave me Kosovën, Tanja Fajon, i tha Radios Evropa e Lirë se i gjithë procesi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës varet nga situata në Prishtinë dhe nga ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Fajon tha se “për Parlamentin Evropian dhe institucionet e tjera evropiane ratifikimi është një prej argumenteve kryesore që të ecet përpara“.

Ajo tha se shpreson në një rezultat pozitiv në Kuvendin e Kosovës, përndryshe “nëse gjërat përshkallëzohen do të ketë vështirësi“.

Deklaratat e Fajon vijnë pak ditë përpara se Kuvendi i Kosovës ta diskutojë çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes me Malin e Zi, në një sesion parlamentar të paralajmëruar për 1 shtator, përmes kundërshtimeve të fuqishme të opozitës në vend.

Fajon: Fillimisht le ta shohim se si do të kalojë debati në Kuvend dhe çfarë përfundimi do të ketë votimi. Natyrisht, shpresoj të kemi një rezultat pozitiv, sepse demarkacioni i kufirit është një kusht i Komisionit Evropian, dhe është diçka që të gjithë në Bruksel po e presin. Nuk dua të spekulojë kur mund të presim liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Duhet të ecim hap pas hapi. Do të kthehem në Bruksel pasdite, dhe në biseda me kolege do të shoh se si është gjendja në Parlamentin Evropian. Ende na prêt votimi në Komitetin Libe (Komiteti për liritë civile, drejtësinë dhe çështjet e brendshme të Parlamentit Evropian) me 5 shtator dhe kjo pak varet edhe nga zhvillimet në Prishtinë.

Raportuesja për liberalizim të vizave tha se gjendja paraqitet shumë e ndjeshme dhe e rëndë dhe tensionet, dhuna dhe incidentet mund të mund të shkaktojë vështirësi në Bruksel.

“Mund t’ju sigurojë se me kolegët e mi në Parlamentin Evropian, me Ulrike Lunachek, po bëjmë çdo gjë që raporti im të votohet në Komitetin LIBE dhe pas tij edhe në Parlament. Por, natyrisht, nëse gjërat përshkallëzohen, atëherë do të ketë vështirësi”.

“Aktualisht po bëhen bisedime për tri ose katër shtete që në valën tjetër të lirohen nga regjimi i vizave. Situata është shumë e ndjeshme dhe duhet të shohim se çfarë disponimi mbretëron edhe në Këshill. Ka disa shtete anëtare që kanë rezerva dhe prandaj duhet të bashkëpunojmë ngushtë dhe vazhdimisht të zhvillojmë dialog, të bëjmë çdo gjë. Kjo vlen edhe për Parlamentin e Kosovës dhe qeverinë”.

“Kur të përmbushen kushtet, atëherë kemi një argument më të mirë, pra të kemi votim pozitiv në Kuvend dhe pastaj edhe Këshilli edhe shtetet anëtare nuk do të kenë argumente kundër. Unë shpresoj se së bashku me shtetet e tjera, Ukraninën, Gjeorgjinë dhe ndoshta Turqinë edhe pse me vështirësi, do të ecim tutje dhe do të shohim edhe Kosovën pa regjim vizash“, tha Fajon.

“Duhet të shohim pas diskutimit të parë javës së ardhshme në Komitetin LIBE. Pres që votimi në Parlament të bëhet së shpejti në njërën nga sesionet e ardhshme. Por aktualisht çdo gjë varet nga situata në Prishtinë dhe nga ratifikimi, që për Parlamentin dhe institucionet e tjera është një prej argumenteve kryesore të ecim përpara”, shtoi Fajon. (REL)

Përgatiti: Arbër Vllahiu

1 Shtatori, dita “D” e demarkacionit! – Nga Florim Zeqa

Dita e 1 Shtatorit 2016-të, do të mbahet gjatë në mend, ndoshta përgjithmonë do të ngulitet në kujtesën e shumë gjeneratave, të atyre që përjetuan në shpirtërat e tyre votimin e një kuvendi shqiptar kundër interesave të shumices shqiptare!
Shqiptarët nga historia kanë mësuar edhe për votime të tjera të dhunshme të kuvendeve si; kuvendi i Prizrenit më 8-10 korrik 1945 (aneksimi i Kosovës nga Serbia), kuvendet e njëpasnjëshme të ish LKJ e deri të kuvendi Kosovës i 23 marsit 1989 (suprimini i autonomisë së Kosovës, prap nga Serbia), të mbivotimit të shumicës shqiptare nga deputet e agjentë serbë të sigurimit, nga shqipfolës e sahanlëpirës të pushtetit.
Në seancën e kuvendit të 1 Shtatorit, përveq agjentëve serbo-malazo-maqedon, do të jenë edhe agjentët dhe spiunët ndërkombëtarë, kurse në vend të policisë serbe në kuvend dhe për rreth tij, do të jenë trupat e uniformuar të policisë së Kosovës!
Poashtu është kjo hera e parë (qoftë e fundit) të shofin shumicë deputetësh shqiptar që votojnë kundër interesave të popullit të vet, dhe një shumicë tjetër deputetësh shqiptar në mbrojtje të integritetit, sovranitetit e kushtetutshmërisë së vendit të tyre!
Do të mahet gjatë në kujtesën e qytetarëve të Kosovës heroizmi i deputetëve shqiptar në mbrojtje të rendit kushtetues, sovranitetit dhe integritetit teritorial të vendit…do të jehojë gjatë në veshët e qytetarëve të Kosovës zëri kumbues i thirrjes së qytetarëve drejtuar deputetëve; “mos e votoni, mos e votoni demarkacionin,…ju lutem mos e votoni ketë marrveshje të dëmshme”.
Zëri i ndërgjegjës qytetare duhet të trokas në zemrat dhe shpirtërat e të gjithë deputetëve shqiptar, qofshin ata në pushtet dhe opozitë.
Derisa të tjerët, të varurit e “Bosëve” partiak, deputët e ardhur në kuvend me votën e lirë (vjedhur) të popullit, i ftoj të mos bëhen të verbër e shurdhmëmec, injorant e të papërgjegjëshëm karshi një të keqeje të madhe, të cilët me voten e tyre mund ta bëjnë një gabim të pariparueshem për vendin.
Do të ishte e palogjikshme nga ana e deputetëve që votojnë pro-demarkacionit, që nesër të thonë; se ky ishte një imponim nga bashkësia ndërkombëtare apo  gabim i pavetëdijshëm i tyre, ngase (pa)qartësia e marrëveshjes politike Thaçi-Mustafa me autoritetet malazeze, duhej të ishte motiv shtesë dhe shkas për votim kundër apo abstenim në votim të marrëveshjes fatkeqe për vendin
Po të ishte vetëm një grup i vogël njerëzish të shitur në ketë vend, siq prejudikohet në presidentin, kryeministrin, komisionin qeveritar për demarkacion, etj,…atëherë kjo do të ishte e keqja më e vogël dhe lehtë e tejkalueshme, por këtu kemi të bëjmë më një klasë politike servile e të dirigjuar nga “Boset” e tyre partiak, varësia e të cilëve ndaj faktorit ndërkombëtar i kalon kufijt e vasalitetit, të cilët janë shndrruar në robër të politikave antishqiptare.
Përderisa legjislatura e tretë e pasluftës e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në ditën “D” të 17 shkurtit 2008 votoi për simbolet antikombëtare të shtetit, paraprakja dhe kjo e tanishmja shkuan edhe më largë me votimet antikushtetuese të legalizimit të strukturave pushtuese në veri të vendit përmes të ashtuquajturit “Asociacion” i komunave serbe, që praktikisht i bie ndarje e sovranitetit të shtetit më pushtuesit serb, terminologjia përfundimtare e të cilit do të votohet prap në një ditë “D” në kuvendin e Kosovës.
Padyshim shqiptarët e Kosovës do të dëshironin, që e krejt kjo të ishte një ëndërr e keqe për shtetin, nga ankthi i së cilës do të liroheshin në realitetin e shtetit për të cilin sakrifikuan gjatë dhe luftuan heroikisht në luftën e fundit me Serbinë.
Të nderuar deputet, përcaktimi i drejtë i votës suaj me 1 Shtator, jo vetëm që parandalon humbjen e territorit të vendit, e përshpejton ndaljen e keqeverisjës dhe shumë proceseve tjera negative që janë duke u zhvilluar në dëmë të së ardhmës së shtetit të Kosovës.
Janë këto dhe shumë arsye të tjera që e bëjnë voten e juaj të shënjtë dhe më vlerë historike.
Andaj para se të votoni, lexojeni edhe një herë betimin e deputetit, të cilin po ua servojë më poshtë;
Betimi i Deputetit
Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane”.
1 Shtatori, edhe pse ditë e enjte, do të mbetët si dita “D” e demarkacionit, e mbrojtjes së integritetit territorial të Republikës së Kosovës apo e kundërta e saj,…e votimit të tradhëtisë kombëtare!

Shpërthim afër shtëpisë së drejtorit të Radiotelevizionit të Kosovës

Radiotelevizioni i Kosovës njoftoi se një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur prapa shtëpisë së Drejtorit të Përgjithshëm të këtij mediumi publik, Mentor Shala, por ka kaluar pa dëme në njerëz.

Në faqen e internetit të këtij mediumi thuhet se shpërthimi ka ndodhur rreth 22 e 10 minuta.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar”, citohet të ketë thënë zoti Shala.

Policia ka filluar hetimet por nuk ka dhënë asnjë hollësi për autorët apo motivet e mundshme të këtij shpërthimi, që pasoi sulmin e 22 gushtit në ndërtesën e Radiotelevizionit të Kosovës që po ashtu kaloi pa dëme në njerëz.

Policia edhe më tej është duke e hetuar atë sulm si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe ende nuk ka dhënë hollësi rreth as për autorët apo motivet e mundshme të tij.

Sulmi pati nxitur shumë reagime të institucioneve vendase e ndërkombëtare, partive politike dhe shoqatave të gazetarëve.

Rastet kanë pasuar një periudhë tensionesh politike. Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Më një shtator Parlamenti i Kosovës pritet të debatojë projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, me gjithë kundërshtimet e partive opozitare.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Nënkryetari i VV: Kryeministër i paske harru 70 dosjet në Prokurori, vendin e ke në burg

Dritan Çaushi ka ironizuar postimin e Kryeministrit Mustafa, i cili flet për korrupsionin, në një tekst, të gjatë, të cilin e përmbyllë me thirrjen për të çkapur shtetin dhe ruajtur prej kapësve të tjerë.

“A ka harruar Isa për 70 dosjet në prokurori, të cilat ia ka përmendur edhe ambasadorja joimagjinare Jacobson? Ato 70 dosje faktojnë në mënyrë fizike (por jo shteruese) korrupsionin e Isës dhe të të tijve”, ka shkruar Çaushi në FB.

“Korrupsioni juaj po e kthen Kosovën në shkretëtirë Isë. Lëri hartimet, se në burg do të kesh mjaft kohë për të shkruar, meqenëse leximet siç duket nuk i ke dhe fort për zemër”, ka shtuar ai.

Lexojeni të plotë reagimin e Nenkryetarit te VV’se:

Sot Isa Mustafa paska shkruar një hartim në të cilin ky autor i patalentuar tregon se si populli i Kosovës korrupsionin e paska problem kulturor, e se si ky popull më shpesh e më shpejt fajëson (pushtetin) për korrupsion, se sa që e vërteton atë korrupsion. Këto “perla diturie” Isa i vogël autor hartimesh i paska dëgjuar nga një ndërkombëtar imagjinar (që si gjithë këshilluesit imagjinarë, i bie të jetë i madh).

A ka harruar Isa për 70 dosjet në prokurori, të cilat ia ka përmendur edhe ambasadorja joimagjinare Jacobson? Ato 70 dosje faktojnë në mënyrë fizike (por jo shteruese) korrupsionin e Isës dhe të të tijve.

A e ka harruar Isa faktimin e korrupsionit në aferën Pronto, të cilat janë përgjime të mbledhura prej ndërkombëtarëve joimagjinarë të EULEX-it? Ato përgjime tregojnë se si shefat e Isës në PDK e kanë kapur çdo instancë publike, prokurorinë, gjykatat, policinë, e bordet e çdo ndërmarrjeje.

Korrupsioni, i nderuar hartim-shkrues, nuk është mit apo defekt kulturor i kombit tonë. Është zakoni kriminal i pushtetit tuaj, që prej luftës e deri sot, e dorën në zemër, për do prej jush, korrupsioni ka qenë zakon edhe para luftës.

Korrupsioni juaj ka shkatërruar industrinë e punësimin, përmes privatizimeve katastrofale të fabrikave. Ka shkatërruar bujqësinë dhe ekonominë, përmes ryshfeteve të megaimportuesve në dogana. Ka shkatërruar jetët e qytetet, përmes lejeve absurde që i keni dhënë ndërtuesve të parregullt. Ka shkatërruar drejtësinë, me gjykatat, prokurorinë e policinë që tërësisht është në mbrojtje të interesave të pushtetit. Ka shkatërruar arsimin duke prodhuar analfabetizëm te nxënësit e te mësuesit e punësuar nga partia, ka shkatërruar mjekësinë e cila sot është pa barna për faj të tenderëve.

Por korrupsioni ka rregulluar jetët tuaja, shtëpitë e ranchet tuaja ku qytetari nuk guxon as të afrohet për të protestuar. Ka bërë me biznese familjarët tuaj, ka bërë me diploma prestigjioze fëmijët tuaj. Korrupsioni ju ka mundësuar juve edhe të “loboni” madje në qendrat e pushtetit botëror, ku paguani paratë e bukës së Kosovës së pangrënë, për të blerë një rrahje shpatullash prej ndërkombëtarëve.

Korrupsioni juaj po e kthen Kosovën në shkretëtirë Isë. Lëri hartimet, se në burg do të kesh mjaft kohë për të shkruar, meqenëse leximet siç duket nuk i ke dhe fort për zemër.

Historianët e Deçanit: Serbët gjenocidalë nuk kanë vend në Mushtishtë as në Kosovë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, shprehet e shqetësuar me dhunën e përdorur nga ana e Policisë së Kosovës ndaj demonstruesve në fshatin Mushtishtë të Suharekës, me rastin e tentimit të vizitës në këtë fshat nga ana e një grupi serbësh.

“Ne, edhe me parë kemi shprehur shqetësimin tonë për rikthimin në këtë fshat të atyre serbëve që sipas banorëve vendas kanë kryer krime në këtë rajon, andaj e ripërsërisim qëndrimin tonë se në Kosovë nuk kanë vend ata që kanë kryer gjenocid kundër shqiptarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e LHK “Ali Hadri”, dega në Deçan.

Ky subjekt i ka bërë thirrje faktorit vendor e ndërkombëtar që të mos provokohet situata “me rikthimin në Kosovë të atyre serbëve që kanë gisht në dhunë, vrasje, maltretime e shantazhe ndaj popullsisë vendase shqiptare” ngase kjo nuk është e pranueshme dhe “është akt kundër vlerave fondamentale të tolerancës se krijuar me shekuj tek shqiptarët”.

Gaz lotsjellës e arrestime në Mushtisht – banorët kundërshtojnë kthimin e serbëve

Policia e Kosovës është përplasur të dielën me një grup protestuesish shqiptarë në fshatin Mushtisht të Suharekës, që kanë bllokuar hyrjen në përpejkje të parandalimit të pjesëmarrjes së pjesëtarëve të komunitetit serb, të zhvendosur, në një festë lokale fetare.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe për shkak “të pengesës në kryerjen e detyrës zyrtare”, arrestoi një numër protestuesish.

“Të paktën 13 persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë protestës së sotme në Mushtisht. Një zyrtar i policisë është lënduar në përpjekje të forcave të rendit për të vendosur situatën nën kontroll”, tha për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Serbët lokalë, që janë zhvendosur nga fshati Mushtisht që prej përfundimit të luftës, kanë paralajmëruar kthimin në fshat, më 28 gusht, me qëllim të pjesëmarrjes në një festë lokale ortodokse dhe kanë kërkuar njëkohësisht edhe krijimin e kushteve për kthim të qëndrueshëm në, sic thonë, “shtëpitë e tyre”.

Disa ditë para kremtimit të fetsës në hyrje të fshatit u vendos një pankartë, të autorëve tash për tash anonim, me përshkrimin “Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal“.

Pankarta e vendosur tregonte fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.

Vendosja e pankartës shkaktoi një valë reagimesh të udhëheqësve politikë serbë, përfshirë edhe Ministrinë për komunitete dhe kthim. Reagimeve iu bashkua edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Srpska, Branimir Stojanoviq, që e dënoi “vendosjen e pankartës” dhe theksoi “përkushtimin për kthimin e serbëve në fshat”.(REL)

VV: Me Grabovcin të hetohen edhe Thaçi e Veseli

I pari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, bashkë me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, kanë dalë në një konferencë për gazetarë, me ç’rast kanë përshëndetur Prokurorinë për nisjen e hetimeve ndaj Adem Grabovcit, lidhur me aferat Pronto 2.

Megjithatë Lëvizja Vetëvendosje e sheh si të paplotësuar paralajmërimin e Prokurorisë, pa u nisur hetimet edhe ndaj kryetarit të shtetit dhe atij të PDK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veseli.

“Çdo hetim që ka nisur e vazhdon për rastin e Grabovcit, pa u hetuar edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli është hetim i mangët dhe si i tillë shkon në dëm të qytetarëve”, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër, Shpend Ahmeti ka numëruar me rend të gjitha institucionet dhe sektorët ku qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë problem të mëdha, dhe të gjitha këto vijnë si pasojë e emërimeve pa kritere e pa përvojë të personave të zgjedhur nga PDK në borde e udhëheqje të shumë institucioneve.

“Papunësia, varfëria, shërbimet në QKUK, në arsim, policia, gjyqësia, nuk janë rezultat i një fati të keq që na ka kapluar, por është pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminale…Pra nëse emërohen persona në borde e udhëheqje të kompanive atëherë s’ka se si të ketë sukses vendi”, tha Ahmeti.

Është e qartë se Adem Grabovci nuk ka punuar vetëm e as nuk ka punuar që ta mbajë vetëm vetveten në pushtet, por ai është kujdesur për ta mbajtur këtë grup kriminal në pushtet, andaj hetimet nuk duhet të ndalen vetëm tek këta persona, ka thënë Shpend Ahmeti.

Tutje, Ahmeti ka thënë se dyshime të mëdha lindin nga mos e këtyre përgjimeve nga ana e hetuesve të shtetit, të cilët flitet se kishin regjistrimet e Pronto 2 që nga viti 2011.

“Nëse këto përgjime na qenkan të vitit 2011 pse atëherë nuk janë marrë me hetime për gjithë këto vite, por kanë pritur 5 vjet. Është e qartë që presioni qytetarë ka qenë dhe do të jetë rruga e vetme ndaj këtyre dukurive. I ftojmë qytetarët që ta mbajnë presionin lartë, të jenë aktiv dhe të ngrinin zërin e tyre. Të dalin në protesta dhe të mos plotësohen me këtë vendim për nisje të hetimeve”, ka thënë Ahmeti.

Kosova nuk ka mësimdhënës për fëmijët me autizëm

Kosova nuk ka statistika të sakta se sa fëmijë jetojnë me autizëm. Statistikat botërore flasin se një në 68 fëmijë lind me autizëm.

Psikologë, të cilët tashmë janë për specializim jashtë Kosovës, për sjelljet e fëmijëve me autizëm, si dhe mësimdhënie për ta, thonë se Kosova nuk ka kuadro të kualifikuar për këtë kategori të shoqërisë.

Tringa Krasniqi, mësuese e nxënësve me autizëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se përveç problemit me trajtimin mësimor për fëmijët me autizëm, edhe më keq qëndrojnë adoleshentët dhe njerëzit e rritur me autizëm.

“Pozita e fëmijëve me autizëm në Kosovë, nuk është e mirë. Këta fëmijë shërbimet i marrin në qendra ku vetë prindërit paguajnë për ta. Nuk ka kuadro të kualifikuara dhe me ta punojnë psikologë. Ata nuk studiojnë për autizëm dhe për metodat shkencore që përdoren për t’i arsimuar nxënësit me autizëm”.

“Këta fëmijë duhet të marrin intervenim të hershëm dhe duhet të jenë 5 orë në ditë intensive që të marrin shërbime. Edhe një tjetër problem që unë po e vërej është se ka fëmijë të rritur dhe adoleshentë me autizëm dhe askush nuk merret me ta. Po i shmangen përgjegjësive pasi që është punë më sfiduese”, thotë Krasniqi.

Cen Krasniqi, kryetar i shoqatës “Autizmi”, thotë se kushtet në trajtimin e autizmit në Kosovë, janë të pandryshuara që prej vjetësh dhe nuk ka asnjë përparim.

Numri i fëmijëve me autizëm është në rritje. Ka shoqata në Kosovë që merren me trajtimin dhe sfida mbetet te trajtimi i mirëfilltë. Çdo ditë nga një deri në dy orë në ditë, zhvillohet trajtimi me program special për ta. Staf të nivelit bazik ka. Ne, si shoqatë, kemi trajnuar dy gjenerata , por ka qenë trajnim tremujor profesional vetëm për autizëm”, shpjegon Cen Krasniqi.

Ai thotë se qytetarët e Kosovës kanë pak njohuri për autizmin.

“Po nisem nga vetë prindërit që e heshtin dhe hezitojnë të flasin për të. Gjithashtu, ka mungesë të mirëfilltë të diagnostikimit. E, edhe në rast të diagnostikimit gjasat për t’i ndihmuar këta fëmijë, janë të vogla, pasi edhe vetë prindërit po hezitojnë t’i paraqesin”, shton Cen Krasniqi.

Për Radion Evropa e Lirë flet edhe nëna e fëmijës me autizëm, Violeta Hyseni, duke treguar treguar për sfidat me të cilat përballet si prind i një fëmije me autizëm përmend mungesën e kuadrove, shkollave të specializuara, si dhe mungesën e mbështetjes institucionale.

“Nuk ka ndryshime pozitive, nga viti në vit. Nuk ekzistojnë shkolla për fëmijë me autizëm dhe nuk po shohim ndonjë interesim për këtë punë. Funksionojnë qendrat dhe shoqatat e prindërve, por jo diçka tjetër. Këto qendra funksionojnë me donacione, e që janë të pakta dhe prindërit kontribuojnë vetë. Përkrahje institucionale pothuajse nuk ka fare, ose tepër pak kontribuojnë dhe atë vetëm për mjete të punës dhe për atafëmijë me raste sociale”, tregon Violeta Hyseni.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kanë ndihmuar herë pas here, organizatat që merren me problematikën e autizmit, me një shumë simbolike dhe se po shqyrtojnë mundësitë që të shtojnë nivelin e ndihmës për këtë kategori të shoqërisë.

Cili është BOSI i grupit “Pronto”? – Nga Florim Zeqa

Nuk e kinja ndër mend të mirrem tutje me aferën “Pronto”, pasi çdo gjë është bërë qartë për opinionin e gjërë publik, mirëpo duke e dëgjuar më vemëndje “Dosjen e shefave XIX”, respektivisht bisedën numër 4 të të telefonatës, e cila i vërteton në mënyrën më besnike punësimet pa kritere nga ana e grupit mafioz “Pronto”,…ku bashkëbiseduesi i “shefit të shefave” emërohet Drejtor në Zyrën e Regjistrimit civil në Komunën e Klinës, pa ju nënshtruar intervistës me gojë dhe pa përmbushur asnjë kriter profesional!
Intervista në fjalë më ktheu pashmangshëm mbrapa në kohë, në vitin 2013-të, kur gjatë pushimeve në vendlindje, i dëgjoja qytetarët e Klinës duke folur në heshtje për fenomenin e emërimit të drejtorit në Qendrën e Regjistrimit Civil nga ana e “shefit të shefave”.
Rasti është mbret i botës 
Pak nga kurreshtja, e më shumë nga nevoja e vazhdimit të afatit të letërnjoftimit të bashkëshortës time, ju drejtova Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë. Ditën e parë, kur shkova vetëm për t’u informuar rreth procedurave të vazhdimit, me sytë e mi e pash kur zyrtarët e kësaj qendre masakruan të gjitha pasaportat e një familje mërgimtare, e cila një ditë më pas duhej të nisej drejt vendeve perëndimore.
Askund në botë nuk ndodh që të bëhet i pavlefshëm një dokument, para lëshimit të dokumentit tjetër.
Ndërsa këtu tek ne, në vendin e paradoksëve, ndodh kjo dhe gjithçka tjetër si kjo.
Anulimi i dokumentit valid para dhënies së dokumentit të ri është ndëshkimi më i rëndë dhe i padrejtë që iu bëhet bashkatdhetarëve nga autoritetet vendore. Edhe pse më preki rëndë në shpirt rasti i ketij bashkatdhetari, dëshiroja të besoja se ky ishte vetëm një gabim i rastësishëm, i cili bashkatdhetarit tim i kushtoi me pagesen e haraqit në emër të procedurës së shpejtë të nxjerrjes së dokumenteve, në këtë rast prej 210 eurove, për tri pasaporta.
Mirëpo rasti i ditës së premte i 23 Gushtit 2013-të, e vërtetoi edhe një herë mënyren e plaçkitjes së mërgimtarëve nga pushtetarët komunal. Nga pesë rastet që ishin për vazhdimin e dokumenteve ( pasaportave e leternjoftimeve), njëra nga to ishte edhe bashkëshortja ime (të cilën asokohe për hirë të mospersonalizimit të rastit nuk e bëra publik).
Tre nga pesë rastet që iu nënshtruan haraqit komunal i kaluan me sukses të gjitha testet për aplikim, ndërsa dy prej tyre (edhe bashkëshortja ime) që nuk deshën të bëhen pre e haraqit , u përballen me pengesa të pakalueshme më rastin e dhënies së gjurmëve të gishtërinjëve. Pretekst nga zyrtarët e kësaj zyreje u bë “lëkura e hollë” e gishtërinjëve të dy mërgimtareve,…burrat e të cilave nuk deshën t’i fërkojnë gishtërinjët e tyre me nga 50 ,respektivisht 70 euro, për procedurën e ” përshpejtimit “.
Mirëpo edhe për këtë zyrtarja e regjistrimit civil ( leternjoftimeve ) e tregoi “gjenerozitetin” e saj, me gjetjen e ilaqit për shërimin e gishtërinjëve, duke u rekomanduar lyerjen e gishtërinjëve me Margarinë për nja 4-5 ditë dhe më pastaj të kthehen prapë në këtë zyre për riprovimin e testit… në rast se nuk funksionon kjo terapi, gjithnjë sipas zyrtares së këtij shërbimi atëherë VIKTIMAT ( bashkatdhetaret ) duhet të shkojnë në qendër, në Prishtinë për ndërrimin e terapisë.
Kjo ishte ” mirëseardhja ” dhe ” përcjellja ” e mërgimtarëve që nuk pranuan rregullat (haraçin) e pushtetit.
Ditën kur ndodhi kjo ngjarje, aty prezent ishte edhe “shefi”, drejtori i sapo emëruar nga “shefi i shefave”, i cili në momentin e hyrjes së bashkëshortes time në procedurën e “skanerizimit” të gishtërinjëve, largohet tinëzisht me makinë nga vendi i punës!
Edhe pse i kinja të gjitha mundësitë e intervenimit për rregullimin e kësaj çështje pa asnjë problem, nuk e bëra një gjë të tillë,…u larguova nga vendi i plaçkitjes së mërgimtarëve duke ua thënë ndër sy punonjësve prezent në zyrat e hapura; “Turp ju qoftë, jeni shndrru në shërbëtor të një pushteti kriminal”.
Nuk munda të ndalem me kaq, të nesermën për këtë çështje dola edhe me shkrimin autorial me titull; Margarina ilaq për mergimtarët, ushqim i mirë për pushtetarët!, i botuar në të përditshmet kosovare e në dhjetëra portale në të gjitha trojet shqiptare dhe diasporë.
Afera “Pronto” ka zgjuar ndërgjegjën qytetare
Për fat të keq, ky shkrim imi dhe shumë të tjerë hasën në veshët e shurdhër të pushtetarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, siq duket publikimet e fundit të audio-inçizimeve të aferave korruptive dhe lidhjeve nepotike të grupit mafioz “Pronto”, kanë filluar të prekin në ndërgjegjën e shoqërisë civile, njerëzve të ndershëm që ia duan të mirën këtij vendi.
Një fjalë e urtë popullore thotë; “Këmbana bie për ata që kanë vesh”, andaj shtrohet pyetja; ku janë drejtësia kosovare, kryeprokurori i shtetit, policia, agjensionet dhe task-forca antikorrupsion që i kanë futur veshët në lesh?
Apo, mos vallë të gjithë janë të kapur e ngulfatur nga grupet mafioze!
Afera “Pronto” dhe “shefi i shefave” tashmë janë të njohur për opinionin publik, i pazbuluar ka mbetë BOSI i tyre!
Për këtë shkrim mbajë përgjegjësi civile dhe morale, dhe jam i gatshëm të ballafaqohem me argumente me secilin nga punonjësit e Zyrës së Regjistrimit Civil në Klinë, përfshirë edhe drejtorin e kësaj zyrëje.

Avokatët e Pejës kërkojnë që deputetët të votojnë kundër demarkacionit (dokument)

Anëtarësia e Degës Regjionale të Odës së Avokatëve të Kosovës në Pejë ka mbajtur një takim, ku kanë nxjerrë një apel.

Apeli u drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga të cilët kërkohet të votojnë kundër demarkacionit me Malin e Zi.

“Apelojmë te deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës, që mos t’a votojnë verzionin e Komisionit qeveritar lidhur me caktimin e Demarkacionit me Malin e Zi, nga se konsiderojmë bindshëm se i njëjti është në kundërshtim me të vërtetën historike, gjendjen reale, si dhe me interesat vitale, kombëtare, strategjike dhe territoriale të Republikës së Kosovë”, thuhet brenda apelit.

avokatetepejes

Informacione të rëndësishme – Shtegtimi në Vatikan me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës Vatikan, 3 – 5 shtator 2016

Shtegtarët nga Kosova nisen me dt. 2 shtator në vijën Prishtinë-Durrës-Bari-Romë.

Shtegtarët nga Diaspora janë të organizuar përmes Misioneve Shqiptare Katolike. Ata nisen sipas programeve të tyre të veçanta e na bashkëngjiten në Vatikan.

Grupi i Koncertit niset më 2 shtator, nga aeroporti i Prishtinës.

Koncerti “Himni i Nënë Terezës”:  mbahet më 3 shtator 2016, ora 19:30 në Bazilikën Papnore të Shën Palit.

Mesha e shenjtërimit: 4 shtator 2016, ora 10:00 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.

Mesha e falënderimit: 5 shtator 2016, ora 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Udhëzime:

Të gjithë shtegtarët që do të shtegtojnë në Vatikan, të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në Koncert dhe në Meshën e shenjtërimit. Është e domosdoshme ta dimë numrin e saktë për rezervimin e vendeve në koncert dhe për rezervimin e biletave për pjesëmarrjen në Meshën e shenjtërimit.
Ata që do të marrim pjesë në koncert, është e domosdoshme të jeni pranë Bazilikës Shën Pali ku do të mbahet koncerti, më së voni deri në orën 18:00, për shkak të procedurave të sigurimit.
Pjesëmarrja në Koncert është e lirë dhe nuk ka nevojë për të siguruar bileta. Ata që kanë ftesë, duhet ta marrin me vete për ta treguar në hyrje të Bazilikës.
Adresa e bazilikës për ata që do ta përdorin navigacionin: Piazzale San Paolo, 1, 00146 Roma, Italy. Për informacione më të detajuara vizito këtë faqe: http://www.vatican.va/various/basiliche/san_paolo/index_en.html
Luten të gjithë grupet e shtegtarëve dhe individët që kanë siguruar biletat e pjesëmarrjes në Meshën e Shenjtërimit, të jenë në ora 07:00 tek fillimi i rrugës Via della Concillazione, që është në drejtim të Sheshit të Shën Pjetrit, në mënyrë që të shtegtojmë bashkë deri në Shesh.
Shtegtarët që do të marrin pjesë në Meshën e falënderimit, më 5 shtator 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit, luten që të konfirmojnë pjesëmarrjen.
Për informacione shtesë luteni të shkruani te kontakti ose dërgo mesazh.

Kontakti:

[email protected]

[email protected]

Tel: 044 793433; 049111835; 044 507 882

t

Grabovci padit Insajderin, kërkon kompensim për dëmtim të reputacionit

Voal – Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, përgjimet e të cilit janë duke u publikuar nga Insajderi prej 1 gushtit të këtij viti, ka paditur mediumin me pretendimin se i është shkelur privatësia dhe se me publikimin e tyre i është dëmtuar rëndë reputacioni dhe autoriteti. Insajderi ka publikuar vetëm ato biseda që lidhen me detyrën zyrtare dhe jo ato që janë biseda për çështje private, e familjare.

Adem Grabovci, nuk i ka dhënë vlerë të saktë monetare “dëmit” që pretendon se ia ka shkaktuar Gazeta Online Insajderi, me publikimin e përgjimeve të tij telefonike.

Vlerën ka thënë se do ta caktojë gjatë shqyrtimit të padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, përgjimet e të cilit janë duke u publikuar nga Insajderi prej 1 gushtit të këtij viti, ka paditur mediumin me pretendimin se i është shkelur privatësia dhe se me publikimin e tyre i është dëmtuar rëndë reputacioni dhe autoriteti.

Përveç kësaj, ai pretendon se autori i shkrimeve ka kryer vepër penale me rastin e nxjerrjes së përgjimeve, të cilat sipas tij do të duhej të shkatërroheshin.

Grabovci, në padi kishte kërkuar masë të sigurisë, por Gjykata Themelore ia ka hedhur poshtë këtë kërkesë. Ai është ankuar në Gjykatën e Apelit, nga e cila po kërkon që të bllokohet publikimi i mëtutjeshëm i përgjimeve.

“Me 1 Gusht 2016 gazeta online e quajtur ‘Insajder’ e cila publikohet ne uep-faqen www.insajderi.com, përmes gazetarit Vehbi Kajtazi, ka publikuar biseda telefonike të cilat pretendohen se janë incizuar nga organet e rendit në një procedurë hetimore. Përmbajtja e këtyre bisedave ishte private. Qëllimi i publikimit të këtyre bisedave ishte shkaktimi i dëmit për paditësin, duke pas parasysh që është figurë publike”, thuhet në fillim të padisë.

Në këtë padi thuhet se e drejta e privatësisë për çdo qytetar të Republikës së Kosovës garantohet me Nenin 36 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe Nenin 8 të Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Në kundërshtim me këtë garancion kushtetues kjo gazetë online ka bërë publikimin e këtyre incizimeve të bisedave telefonike dhe ka premtuar se do të bëjë publikimin edhe të bisedave të tjera private”, pretendohet në padi.

Grabovci pretendon se me rastin e publikimit të këtyre bisedave private, i është shkaktuar dëm jo-material nga ana e të paditurve.

“Të paditurit në gazetën-portalin e tyre kanë premtuar se do të bëjnë publikimin e bisedave të tjera private të paditësit, duke paralajmëruar vazhdimin e shkaktimit të dëmit dhe duke e shkelur të drejtën e privatësisë”, shkruan në padi. Si provë për këtë është dorëzuar shkrimi i parë paralajmërues i Insajderit me titull “Shteti në dorë të nëntokës, në të cilin ishte paralajmëruar publikimi i bisedave të Grabovcit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashi, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak, ashtu siç edhe ka ndodhur.

Megjithëse, Grabovci i është drejtuar Gjykatës me padi civile, pretendon se “ka dyshim të bazuar se të gjitha këto përgjime janë nxjerrë përmes kryerjes së veprës penale të sanksionuar me Nenin 203 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës ngase marrë nga një procedurë hetimore”.

Grabovci, ka kërkuar nga Gjykata që të caktojë masën e sigurisë, të urdhërohet Insajderi-Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri– që të mos publikojë asnjë bisedë telefonike të incizuar deri në përfundimin e kësaj procedure kontestimore.

“Ndërsa, pas administrimit të të gjitha provave lidhur me rastin konkret i propozojmë gjyaktës që të sjellë këtë aktvendim: Të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e Adem Grabovcit; të detyrohet Insider sh.p.k që paditësit t’ia kompensojë dëmin jomaterial në shumën e cila do të precizohet gjatë shqyrtimit kryesor”, kërkohet në padi.

Me përgjimet e publikuara, është dëshmuar fuqia e Adem Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme.

Gjithë këto veprime Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”. Shef e quan edhe Kadri Veselin, të cilit i thotë: “Ti i merr vendimet, unë i zbatoj”.

Ndërkohë, Prokuroria po analizon përgjimet dhe pritet të ketë vendim formal për nisjen e hetimeve për vepër penale. Prokuroria është aktivizuar vetëm pas publikimit të përgjimeve nga Insajderi, ndonëse këto përgjime ishin në dorë të prokurorëve të EULEX-it për gati pesë vjet./Insajderi.com

Padia_Grabovci 1

Daja i Hashim Thaçit i lirë – Katër obligimet e Azem Sylës në liri

Voal – Përderisa në mesin e qershorit të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte lënë në burg Azem Sylën duke e konsideruar të rrezikshëm, që ai të ndërhynte në proces hetimor dhe në dëshmitar, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që të enjten e 25 gushtit ta lirojë nga paraburgimi të akuzuarin për krim të organizuar, ish deputetin e PDK-së.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që masa e paraburgimit ndaj Azem Sylës, Nuhi Ukës, Arton Vilas, Hajrullah Berishës, Avni Maxhuni dhe Sabedin Haxhiut, të zëvendësohet nga masat të tjera.

Dy të tjerët, Ilaz syla dhe Lubisha Vujoviq do të mbesin në paraburgim pasi hetimi ndaj tyre ende nuk ka përfunduar.

Por Syla dhe të tjerët janë të obliguar t’i ndjekin këto detyra deri më 25 nëntor 2016.

Të pandehurit urdhërohen që të paraqiten në stacion Policor një herë në javë, ku kanë banimin e përhershëm apo vendbanimin e tanishëm.

Të pandehurit  kanë të ndaluar të takohen ose afrohen me ndonjë të paraburgosur tjetër apo dëshmitari që ka lidhje me këtë rast, ose të kenë kontakt me ndonjë tjetër, përfshirë edhe telefonat, chat-in apo emaili, përderisa këta persona të jetë anëtarë të familjes.

Gjykata konstaton se masat alternative të urdhëruara janë të nevojshme dhe të mjaftueshme për të luftuar rreziqet e identifikuara në lidhje me gjashtë të përmendurit.

Gjyqtari i procedurës paraprake është i vetëdijshëm se konfiskimi i dokumenteve të udhëtimit dhe ndalimi i kontaktit mes të akuzuarave, zyrtarisht janë pjesë e masave të tjera, por e konsideron të përshtatshëm për të vënë vetëm këto masa si të nevojshme për të ikur nga rreziqet e përmendura.

Ish-deputeti Azem Syla është nën hetime për krim të organizuar e shpëlarje parash. Ai ndodhet në paraburgim nga muaji prill. Prokuroria pretendon se bazuar në rezultatet hetimore të deritashme, deputeti Azem Syla, ka organizuar, i financuar dhe mbikëqyrur një grup kriminal.

Syla, së bashku me Fahredin Gashin, dyshohet se kanë fituar pronësi në mënyrë të paligjshme të dhjetëra hektarëve tokë të shtetit në vlerë mbi 30 milion euro.

Grupi pretendohet se ka nisur veprimtarinë që nga viti 2006.

Prokuroria pretendon se ngastrat e tokës të përvetësuara në mënyrë të paligjshme, dekada më parë ishin shpronësuar nga prona private dhe ishin bërë të shtetit. KBI Kosova Export, menaxhonte me to.

Pas luftës, këto prona në mënyrë të paligjshme – me vendime gjyqësore të paligjshme dhe me dokumente fals, janë bartur në emra të pronarëve të vjetër. Mirëpo, ata pronarë nuk kanë ditur fare për këtë. Në këtë mënyrë, pronat janë shitur pronarëve të rinj shqiptarë.

Prokuroria pretendon se dëshmitarët janë tepër të rrezikuar./Insajderi.com

http://www.insajderi.com/wp-content/uploads/2016/08/image-0-02-01-4bfb15cc413fc012a026e28501d56ed03d0f7400f45ca620732fb2d735c35f1a-V.jpg

http://www.insajderi.com/wp-content/uploads/2016/08/image-0-02-01-e35eedfe824e68df1f5f048e5b551e4b8459045997a60281e9838a490e34254e-V.jpgAZEMI-222

Privatizimi që e çoi Kosovën në krizë ekonomike

Ekonomia e Kosovës është duke bartur pasojat e një procesi të privatizimit të dështuar të ndërmarrjeve shoqërore. Ekspertë të çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se privatizimi dëmtoi ekonominë e Kojsovës dhe nuk ndihmoi aspak në rimëkëmbjen ekonomike.

Kosova pati filluar privatizimin e përgjithshëm të ndërmarrjeve shoqërore në vitin 2003, në kohën kur vendet e rajonit e kishin përfunduar këtë proces. Procesi i privatizimit, në përgjithësi, në Kosovë është shoqëruar me kundërshtime dhe dilema të shumta.

Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë, janë shitur 1,290 asete të ndryshme të ndërmarrjeve shoqërore, me një vlerë prej mbi 660 milionë eurosh.

Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thekson se këto ndërmarrje u shitën me çmime shumë të lira dhe iu shitën njerëzve, të cilët më pas ia ndryshuan destinimin ndërmarrjeve, duke i bërë dëm të madh ekonomisë së vendit.

“Në vend që me mjetet e shitura nga fondi i privatizimit të rigjenerohet ekonomia, të rritej mundësia e punësimit, ndodhi e kundërta. Përmes procesit të privatizimit mbi 70 mijë punëtorë dolën nga puna, shumë nga ndërmarrjet e privatizuara u shndërruan në depo, në halla sportive, vend për ndërtimin e banesave, pajisjet u shiten si skrap, faktikisht patëm një proces të dyfishtë të dështuar të privatizimit”, thekson Kastrati.

Kosovën po ashtu e ka përfshirë edhe niveli i ulët i rritjes ekonomike. Përderisa në vitin 2010 rritja ekonomike kishte qenë 5.39 për qind, në katër vitet e fundit kjo rritje ekonomike nuk ishte më e lartë se 3 për qind.

Rritja ekonomike prej jo më shumë se 3 për qind, nuk arriti të zbusë nivelin e papunësisë, e cila është në shkallë mbi 35 për qind dhe varfërinë ekstreme e cila është 10 për qind.

Berim Ramosaj, koordinator i Forumit të Politikave Zhvillimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se këta indikatorë të rritjes ekonomike tregojnë se Kosovës i duhen ndryshime të mëdha. Kosova, shton ai, duhet të ndryshojë në kuptimin e politikave të reja të cilat afirmojnë zhvillim.

“Gabimet më të mëdha, që pa dyshim që aty mund të kërkojmë zgjidhje, janë zhvillimet strukturore. Nuk e kemi bërë orientimin si duhet në aspektin e afirmimit të atyre degëve të cilat krijojnë edhe vende pune edhe rritje ekonomike”, thekson Ramosaj.

Ekonomia e Kosovës, po ashtu, nuk arriti të bëjë tërheqje të mjaftueshme të investimeve të huaja direkte. Eksperti i ekonomisë, Ismajl Kastrati, thotë se autoritetet e Kosovës nuk patën vizion të qartë dhe nuk hartuan strategji se si të tërheqin këto investime.

Investimet e huaja direkte në Kosovë, që kapin shumën prej 3,5 miliardë eurosh, për periudhën 2004 – 2015 ,po vlerësohet se nuk janë të mjaftueshme për të ndihmuar në zhvillimin më të hovshëm ekonomik të Kosovës.

Burokracia, furnizimi jo stabil me energji elektrike, jostabiliteti ekonomik dhe politik, qasja e kufizuar në financa, niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, bënë që investitorët ndërkombëtarë të mos e shohin Kosovën vend atraktiv për investime.

Të gjitha këto barriera, sipas ekspertit të ekonomisë Kastrati, duhet të eliminohen, dhe duhet bërë reforma të thella ekonomike.

“Na duhet një konsensus që të miratohet një strategji zhvillimore e cila i parash orientimet zhvillimore për më shumë se pesë vite dhe ato strategji t’i përcjellim. Por, mbi të gjitha ne duhet të jemi më tërheqës për investitorët e huaj dhe për investimet nga diaspora jonë”, thotë Kastrati

Kosova në raportet e mekanizmave ndërkombëtarë është kritikuar se nuk ka bërë sa duhet për të adresuar problemin e zhvillimit të ulët ekonomik dhe përmirësimin e politikave zhvillimore.

Duke parë këta indikatorë negativ të ekonomisë së vendit, për herë të parë, në fillim të këtij viti Kosova aprovoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016 – 2021, e cila definon zhvillimin afatgjatë dhe gjithëpërfshirës të saj.

Kjo strategji është e ndarë në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, zhvillimi i industrive konkurruese dhe zhvillimi i infrastrukturës. (REL)

Sulmet e mistershme, produkt i zhvillimeve politike apo… ?! – Nga Florim Zeqa

Sulmet e fundit mbi institucionet shtetërore dhe mediumin e vetëm publik, janë një mister i pazbuluar apo orkestrim i organizuar nga grupet e ndryshme të interesit në Kosovë.
Hedhja e granatës së dorës në oborrin e mediumit të vetëm publik në vend, është sulmi i gjasht me radhë, ndërsa i katërti vetëm brenda tetë muajëve ndaj institucioneve të vendit. Siq dihet me 12 Mars të këtij viti sulmohet objekti i Kuvendit të Republikës së Kosovë me koktej molotovi, pastaj me 19 Mars sulmohet Gjykata Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan,…për të ardhur tek 4 Gushti, kur përseri sulmohet me zollë objekti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, e deri tek sulmi më i freskët ndaj objektit të RTK-së.
Paradoksi qendron në faktin, se si është e mundur të ndodhin të gjitha këto sulme para syve të organeve vendore (Policisë së Kosovës dhe FSK-së) dhe ndërkombëtare (KFOR dhe EULEX) si ruajtës të rendit, dhe të përfundoj pa u zbuluar së paku një pistë e mundshme e këtyre sulmeve misterioze!
Pushtetarët, që dy herë radhazi janë duke e përdorur një e-mail adresë anonime në emër të “rugovasve” se gjoja ata e marrin përgjegjësinë për sulmet ndaj institucioneve shtetërore,…duke e ndërlidhur këtë me rezistencën e rugovasve në mbrojtjen e pronave të tyre dhe terësisë territoriale të vendit, që pushtetarët po dojnë t’ia falin Malit të Zi përmes Marrëveshjes skandaloze të presidentit dhe kryeministrit të vendit me fqinjët tanë dhe autoritetet e Brukselit.
Në anën tjetër rugovasit e vërtetë, jo vetëm që nuk e pranojnë përgjegjësinë për sulmet, i dënojnë fuqishëm aktet e tilla të turpshme dhe qyqare si dhe skenarët monstruoz të pushtetarëve aktual.
Kjo është më tepër se turp për pushtetarët, është prapaskenë politike e përgatitur nga grupet e caktuara për shpërqendrim të vëmendjes së opinionit publik nga aferat skandaloze të aferës “Pronto” në prag të votimit të Demarkacionit.
Sikur të mos ishin të imlpikuar pushtetarët në sulmin e fundit dhe ato paraprake,…me siguri se do t zbuloheshin edhe autorët e vjedhjes vite më parë të rreth 50 kg drogë, qindëramijëra eurove, sasi ari dhe argjendi dhe fshehjes së dëshmive të shumta për raste kriminale në dhomat e sigurisë së lartë të Policisë së Kosovës.
Jo që nuk u zbuluan “vjedhësit”, por asnjëri nga zyrtarët e lartë të policisë së Kosovës, përfshirë edhe Ministrin e Punëve të Brendshme nuk u ngarkuan me përgjegjësi, përkundrazi u graduan dhe u avancuan në postet më të larta shtetërore!
Kështu po ndodhë në Kosovën e kapur nga grupet kriminale dhe mafioze, ku gjithnjë aktet e rënda kriminale përfundojnë me “dënime” verbale nga krerët shtetëror dhe partiak, përderisa kryerësit e veprave mbetën të paprekur dhe pandëshkuar nga drejtësia vendore, duke përfunduar gjithçka me konkluzionin e njëjtë; “Hetimet vazhdojnë…”
Ndërsa partitë politike, në pushtet dhe opozitë mjaftohen me derdhjen e “lotëve të krokodilit”, pa shkuar tutje me procedimin e rasteve, siq janë thirja në interpelancë të Ministrit të Punëve të Brendshme, Kryeministrit dhe Presidentit, si formë e llogaridhënjës para deputetëve dhe qytetarëve të vendit, ngase nga sulmet misterioze përveq dëmtimit të pronave publike dhe shtetërore, rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve.
Si gjithnjë subjektet politike, fajin për sulmet misterioze mundohen t’ia atribuojnë njëra-tjetrës për poena dhe kauza politike për interesat e tyre personale dhe partiake.
Se a janë vërtetë, sulmet misterioze ndaj institucioneve shtetërore produkt i zhvillimeve politike, apo janë prapaskena me prapavijë tjetër kriminale apo terroriste, përgjigjen do duhej dhënë organet përgjegjëse për sigurinë e vendit dhe jetës së qytetarëve, në të kundërtën moszbullimi i rasteve të tilla, pashmangshëm e dërgon vendin në pasiguri totale dhe anarki ligjore, e cila frymëzon akoma më tepër lulëzimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të ekstremizmit politik dhe fetar në vendin tonë.

Donika Kadaj – Bujupi paralajmëron tensionim të situatës

 Nëse Qeveria e Kosovës nuk zmbrapset nga marrëveshjet për Demarkacion dhe Asociacionin, atëherë eskalimi potencial i situatës do të jetë përgjegjësi mbi ta, ka thënë Donika Kadaj – Bujupi në intervistën dhënë gazetës “Zëri”

Sa herë që preket interesi i vendit do të këtë tensionim të situatës, sepse qytetarët e Republikës nuk mund të pajtohen me këtë fakt. Ky është paralajmërimi i deputetes Donika Kadaj – Bujupi, tashmë pjesë e Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila shton se ky tensionim mund të këtë konsekuenca të ndryshme dhe të rrezikshme. “Prandaj Qeveria duhet ta këtë parasysh këtë dhe të mos vazhdojë me kokëfortësinë e saj, sa të habitshme, aq edhe të dëmshme për Kosovën. Për çfarëdo eskalimi potencial, përgjegjësia e plotë është te ta”, ka thënë në intervistën dhënë gazetës “Zëri”, Kadaj – Bujupi.

Duke folur në emër të “Vetëvendosjes”, Kadaj – Bujupi thotë se kosovarët nuk mund të presin as nga ambasadorët e as nga zv/presidenti Biden, që të përkujdesen të mos humbet territor. Ajo përmend se si ShBA-ja, e cila ka sipërfaqe të territorit rreth 9.4 milionë km2, në asnjë moment nuk lëshon pe ndaj Meksikës në mosmarrëveshjen e tyre për shumë pak territor, saktësisht 2.4 km2. “Kemi plot këso raste.

Prandaj, ‘Vetëvendosja’ nuk do të zmbrapset në këtë drejtim, bile do ta këtë kundërshtimin edhe më të fuqishëm”, ka thënë për “Zërin” mes tjerat Kadaj – Bujupi.

Tre të vrarë në Gjakovë, të dyshuarit ende në arrati

 I dyshuari kryesor Gjelbrim Gjoshi

Tre persona kanë mbetur të vrarë gjatë një përleshje me armë zjarri në Gjakovë. Rasti ka ndodhur pak minuta më parë në Çarshinë e këtij qyteti.

Lajmi është konfirmuar për “zeri.info”, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Gjakovës, Lirie Podrimaj.

“Në orën 16:00 ka ndodhur një vrasje, ku tre persona kanë humbur jetën, në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë. Patrullat policore i janë përgjigjur menjëherë informatës dhe janë në kërkim të dyshuarve”, ka thënë Podrimaj. Ajo ka shtuar se viktimat janë të gjinisë mashkullore, të moshës 25-35 vjeçare. Motivet e kësaj ngjarje ende nuk dihen.

“Të dyshuarit janë në arrati dhe shumë shpejt do të japim informata të tjera”, ka thënë zëdhënësja e Policisë.

Ajo ka thënë se Policia e Kosovës është duke punuar që sa më shpejt të zbardhen motivet e vrasjes dhe të kapen autorët.

Vëllezerit Valon dhe Ilir Islamaj – të njohur si vëllezërit Madanaj dhe Zef Krasniqi nga fshati Meçe kanë mbetur të vdekur në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë. Express merr vesh se i dyshuari për vrasje Gjelbrim Gjoshi dhe vëllezërit “Madanaj” kishin pasur një konflikt të mëparshëm.

Sipas informatave që ka Gazeta Express, para një muaji vëllezërit Islamaj “Madanaj” e kishin rrahur Gjelbrim Gjoshin në një hotel në Shkugëz. Konflikti i tyre i mëhershëm dyshohet se e ka qenë motivi i vrasjes së trefishtë.

Valoni dhe vëllai i tij, Iliri, në Gjakovë njihen si persona që kanë shkaktuar shumë probleme kurse i dyshuari për vrasje, Gjoshi ka punuar si sigurim në disa lokale.

Ndërsa viktima e tretë, Zef Krasniqi është 35 vjeçar dhe është nga fshati Meçe. Ai është pronar i një pompe të benzinit dhe dyshohet se nuk ka qenë cak i vrasjes.

I dyshuari kryesor për vrasje, Gjelbrim Gjoshi, dhe vëllezërit “Madanaj” kishin pasur një konflikt të mëparshëm.

I dyshuari për vrasjen e tre personave në Çarshinë e Gjakovës, ende është në arrati dhe policia nuk ka arrestuar askënd.

I dyshuari për vrasjen e tyre është Gjelbrim Gjoshi i cili kishte pasur konflikt të më hershëm me dy vëllezërit e njohur si Madanaj.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Gjakovës, Lirie Podrimaj ka thënë për Klan Kosova se nga dëshmitarët okularë, ka marrë informatën se në momentin që ka ndodhur vrasja, dorasit janë larguar me një veturë nga vendi i ngjarjes.

Ajo po ashtu ka deklaruar se njësitet hetimore të policisë kanë dalë në teren dhe po kërkojnë për të dyshuarit.

Vrasja që ka ndodhur në kafiterinë “Deep Bar” në Gjakovë, ka lënë të vdekur dy vëllezër, Valon Islamaj 35 vjeçar dhe Ilir Islamaj 28 vjeçar si dhe Zef Krasniqi, 37 vjeçar.

Komisioni: Kufiri në përputhje me Marrëveshjen e Kumanovës

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror ka dalë edhe me një komunikatë për shtyp përmes së cilës kanë arsyetuar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Përmes kësaj komunikate, Komisioni ka bërë të ditur se marrëveshja aktuale është në përputhje edhe me marrëveshjen tekniko ushtarake që ishte nënshkruar me 3 qershor të vitit 1999 ndërmjet NATO-s dhe RF të Jugosllavisë.

Për më shumë lexoni komunikatën e plotë të Komisionit shtetëror:

Një nga çështjet kryesore pas mbarimit të luftës është aspekti i sigurisë së qytetarit dhe siguria e kufirit. Në pajtim me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen teknike ushtarake të Kumanovës në Kosovë janë vendosur forcat ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-i, që kanë pasur për detyrë të ofrojnë një mandat të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të njëjtën kohë t’i kontrollojnë dhe mbikëqyrin kufijtë e Kosovës dhe të mundësojnë hapësirë për vendosjen e organizatave ndërkombëtare në Kosovë.

Në pajtim me këtë marrëveshje janë caktuar gjithashtu edhe zonat e sigurisë, zona ajrore e sigurisë dhe zona tokësore e sigurisë. Pika (d) thotë, zona e sigurisë ajrore është definuar si zonë prej 25 kilometrash dhe tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë dhe Malit të Zi.

Zona e sigurisë tokësore është definuar si zonë prej 5 kilometrash, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë dhe Malit të Zi.

Marrëveshja tekniko ushtarake, 03 Qershor 1999

U arrit ndërmjet NATO-s dhe RF Jugosllavisë të ndërpritet bombardimi i filluar nga NATO me 24 Mars 1999 dhe përfundoj pas 78 ditësh më 09 Qershor 1999. Sipas Planit të Ahtisaarit dokumentit të dorëzuar dhe hartës që Serbia përkatësisht RFJ duhet të tërhiqet nga territori i Kosovës.

Këtu shtrohet pyetja cili ishte territori i Kosovës?

Përgjigja është në dokumentin e Ahtisaarit pikërisht në Marrëveshjen tekniko ushtarake të  03 Qershor 1999. Përshkrimi i territorit të Krahinës së Kosovës dhe harta e bashkangjitur në këtë marrëveshje është në përputhje të plotë me vijën administrative të Krahinës se Kosovës e zbatuar nga viti 1974 e deri më sot, gusht  2016. Në bazë të kësaj harte është bërë vendosja e forcave ndërkombëtare të sigurisë KFOR-it. Nga marrëveshja tekniko ushtarake e 03 Qershor 1999, në vijim janë shkëputur disa paragraf  për qartësim më të mirë për lexuesin.

“Marrëveshja tekniko ushtarake, 03 Qershor 1999

Ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (“KFOR”) dhe Qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë Neni 1: Detyrimet e Përgjithshme

Palët në këtë Marrëveshje riafirmojmë dokumentin e paraqitur nga Presidenti Ahtisaari te presidenti Millosheviq dhe i miratuar nga Parlamenti Serb dhe Qeveria Federale më 03 qershor 1999, për të përfshirë vendosjen e Kosovës nën kujdesin e OKB-së të një pranie efektive civile dhe të sigurisë ndërkombëtare. Palët më tutje theksojnë se Këshilli i Sigurimit ka përgatitur për të miratuar një rezolutë ……….” lidhur me këtë çështje. Dokumenti i plotë mund të shkarkohet nga ëeb faqja në vijim: Military-Technical Agreement betëeen the International Security Force and the Governments of the Federal Republic of Yugoslavia and the Republic of Serbia, signed in Kumanovo on 9 June 1999, available at www.nato.int/kosovo/docu/a990609a.htm

Neni 1: Detyrimet e Përgjithshme nga marrëveshja janë të shkruara në paragrafin (e). “Zona Tokësore e Sigurisë (ZTS) është përcaktuar si një zonë 5 kilometërshe që zgjatet jashtë territorit të Krahinës së Kosovës, në brendi të pjesës tjetër të territorit të RFJ-së. Kjo përfshin terrenin e zonës brenda atyre 5 kilometrave”.  Territori i Krahinës së Kosovës ishte i njohur atëherë dhe tash dhe harta e KFOR-it është në përputhje të plotë me kufirin ndërmjet Krahinës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Zona e sigurisë ajrore është e definuar si zonë prej 25 km, e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës, në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.

Zona e sigurisë tokësore është definuar si zonë prej 5 km e cila tërhiqet nga kufiri i jashtëm i Kosovës në brendësi të territorit të Republikës Federative të Jugosllavisë.

Më 09 Qershor 1999 paragrafi 1 pika (e) shkruan qartë: Nga EIF +11 ditë, të gjitha forcat e RFJ-së në Kosovë do të kenë përfunduar tërheqjen e tyre nga Kosova (bashkëngjitur harta në Shtojcën A të kësaj Marrëveshjeje) në Serbi jashtë Kosovës dhe jo brenda 5 km të Zonës tokësore të sigurisë (ZTS).

Nga kjo shihet se harta dhe marrëveshja është në përputhje të plotë pa ndryshim nga vija administrative 1974-1988-1999 – 2008 dhe kufirit të shënuar nga Komisioni shtetëror dhe i nënshkruar në Vjenë.

Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1244 (1999), në bazë të G-8 që u pajtuan me parimet nën Kapitullin VII duke autorizuar vendosjen e Kosovës nën mbikëqyrjen  e OKB-së, vendosjen e një Pranie ndërkombëtare civile – Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK),

Shiko në vijim nga ëeb faqja: United Nations Security Council resolution 1244 of 10 June 1999, available at ëëë.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htm

Kronologjia e lirisë së Kosovës  ëëë.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htm deri me futjen e UNMIK:  

03 qershor 1999 miratimi i marrëveshjes së RFJ me NATO-Forca e Sigurisë

05 qershor përfaqësues të NATO-s dhe të Qeverisë Jugosllave finalizuan detajet në përgatitjen e një marrëveshjeje ushtarake-teknike.
08 qershor G-8 Ministrat e Jashtëm, në një takim të mbajtur në Këln, arritën një marrëveshje mbi një projekt-rezolutë për Kosovën për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe Përfaqësuesi Special i BE-së, i dërguari Ahtisaari u takua me presidentin kinez dhe ministrin e jashtëm kinez në Pekin.
09 qershor 1999, pas 78 ditë të fushatës ajrore dhe nën presionin e Rusisë, Serbia pranoi kushtet e armëpushimit dhe nënshkruan marrëveshjen ushtarake-teknike

10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e aprovon Rezolutën 1244.

Dokumentet e aprovuara e kanë fuqinë e plotë dhe janë absolutisht obligative për Kosovën sepse marrëveshja dhe harta në këtë periudhë janë në tavolinën e vendimmarrësve. Teksti i marrëveshjes u citua dhe harta është e bashkëngjitur në vijim. United Nations Security Council resolution 1244 of 10 June 1999, available at ëëë.un.org/Docs/scres/1999/sc99.htm. Included as Annex 1 to United Nations Security Council resolution 1244, op.cit.

Forcat e Republikës Federative të Jugosllavisë, nuk do të hyjnë, nuk do të hyjnë përsëri, dhe nuk do të qëndrojnë në territorin e Kosovës, pa pëlqimin e komandantit të forcave ndërkombëtare të sigurisë KFOR. KFOR ka kontrolluar dhe mbikëqyrë vijën kufitare Kosovë – Mali  i Zi, në  pajtim me Marrëveshjen teknike- ushtarake, dhe aneksin e hartave të kësaj Marrëveshje (harta e bashkëngjitur).

Në hartën e 09 Qershor 1999 në vijim është paraqitur kufiri i Kosovës dhe zona e sigurisë  tokësore prej 5km.

Kur thuhet nuk do të hyjnë në territorin e Kosovës, apo, KFOR ka kontrolluar dhe mbikëqyrë vijën kufitare nënkuptohet që ajo vijë dhe ai territor është i përcaktuar në hartën e NATO/KFOR i cili është plotësisht në përputhje me vijën administrative 1974-1988-1999-2008 dhe 2016.

Derisa autoritet e Malit të Zi, nuk kanë pasur qasje në ketë zonë 5 km brenda territorit të Malit të Zi, gjatë  kësaj kohe qytetarë të Kosovës, kanë hyrë, qëndruar dhe lëvizë në këtë zonë, pa u penguar nga autoritetet e Malit të Zi. Qytetarët e Kosovës, gjithashtu kanë shfrytëzuar këtë zonë edhe për kullosa. Disa prej tyre edhe kanë zhvilluar disa biznese pompa të derivateve të  improvizuara, kontrabanda me cigare dhe kafe.

Në vitin 2004 është marrë një aksion i KFOR-it me policinë e Kosovës dhe nga kjo zonë janë larguar qytetarët e Kosovës. Janë larguar bizneset e improvizuara, është sekuestruar një sasi e derivateve të naftës, kafes dhe cigareve, janë larguar gypat me të cilin është bërë kontrabandë  me derivate të naftës deri në fshatin Novosellë të Pejës.

Kompetencat e Policisë së Kosovës

Fillimisht, pas luftës në Kosovë, vetëm KFOR-i ka qenë autoritet për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufijve të Kosovës. Me krijimin e Shërbimit Policor të Kosovës, tani Policia e Kosovës, me ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të saj, ka filluar të kontrolloj dhe mbikëqyrë kufijtë e Kosovës, së bashku me KFOR-in, përmes patrullimeve të përbashkëta. Kufirin, këtë që ishte nga viti 1974-1988 e deri më sot gusht 2016 me Malin e Zi, Policia e Kosovës, ka filluar ta kontrolloj dhe mbikëqyr së bashku me KFOR-in nga viti 2001. Për këtë është dorëzuar edhe harta e marrëveshjes së Ahtisaarit të bashkëngjitur në këtë shkrim.

Me krijimin e infrastrukturës ligjore për Kufij, Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e kufijve, si dhe me avancimin e bashkëpunimit me policitë kufitare të shteteve fqinje dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për bashkëpunim policor ndërkufitar, KFOR, pas heqjes së zonës së sigurisë / zonës ajrore dhe tokësore të sigurisë në vitin 2008, ka filluar bartjen e kompetencave për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit në Policinë e Kosovës. Kjo bartje e përgjegjësive është bërë marrëveshje në mes të KFOR-it dhe Qeverisë së Kosovës, si dhe EULEX-it, pasi që janë vlerësuar kapacitet humane dhe teknike të Policisë së Kosovës, për marrjen e këtyre përgjegjësive, në këto marrëveshje është zbatuar kufiri / vija kufitare në bazë të Marrëveshjes teknike ushtarake  KFOR:

03 Shtator 2011 KFOR-i ka dorëzuar të Policia e Kosovës kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit me Malin e Zi.

Policia e Kosovës, sot ka Protokolle për Patrullime të Përbashkët me policitë kufitare të shteteve fqinje: Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Këta kufij patrullohen bashkërisht nga autoritetet e shteteve respektive.

Policia e Kosovës e kontrollon dhe mbikëqyrë kufirin Kosovë / Mali i Zi, kufirin / vijën kufitare e cila është dorëzuar nga KFOR te Policia e Kosovës, në pajtim me Rezolutën 1244, Marrëveshjen teknike ushtarake të 09 Qershorit 1999 ( aneksi i hartave ), kufi i cili është përcaktuar me Kushtetutën e vitit 1974, me Planin e Ahtisaarit, i cili plan është aprovuar nga Kuvendi i Kosovës dhe me të cilin është shpallur Pavarësia e Kosovës, dhe me këta kufi, Kosova është njohur nga shtetet e botës.

Marrëveshja për trafikun lokal ndërkufitar

Kosova ka të nënshkruar me Malin e Zi, Marrëveshjen për trafikun lokal ndërkufitar. Trafiku kufitar lokal, është kalim i kufirit nga banorët e zonave kufitare me qëllim të qëndrimit në zonën kufitare të palëve për arsye sociale, kulturore, sportive, arsimore, ekonomike, familjare, fetare, apo për arsye të tjera të ligjshme.

Kjo marrëveshje iu mundëson qytetarëve të shteteve respektive, të kalojnë kufirin Kosovë – Mali i Zi, jashtë pikave të kalimit të kufirit, në vendet më të përshtatshme për ta. Të qëndrojnë, lëvizin dhe ushtrojnë veprimtari, në territoret respektive. Kjo lëvizje, qëndrim, kullosa shtrihet deri 30 km nga vija kufitare në brendësi të territoreve respektive.

Lajçi: Territor po humb shteti i Kosovës, jo komunat

Ish-anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror me Malin e ZI, Ali Lajçi, ka treguar se me demarkacion, shteti i Kosovës po humb pronë publike, e jo prona të cilat janë menaxhuar nga komunat.

Ai ka thënë se toka që po e humb Kosova me këtë marrëveshje është pronë që është mbikëqyrur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Lajçi i ka ftuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje në protestën e 1 shtatorit.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se mendon se koalicioni qeverisës nuk i ka votat për ta ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Nëse ratifikohet demarkacioni, do të ketë tensione, mospranim të marrëveshjes dhe rezistencë të llojeve të ndryshme, ka paralajmëruar Lajçi.

Lista Serbe si e kushtëzon votën për Demarkacionin

Të paktën nëntë deputetë të dalë nga koalicioni qeverisës nuk do të votojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi më 1 shtator. Megjithatë, kjo nuk duket se po i shqetëson shumë partnerët e koalicionit pasi në “ndihmë” atyre pritet t’u vijë Lista Serbe. Sipas burimeve të gazetës “Zëri” çmimi që partnerët LDK-PDK duhet të paguajnë në rikthim të këtij “favori” është votimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe. E krejt ky “pazar” nuk po i çudit shumë partitë opozitare. Ata thonë se vazhdimisht, koalicioni PDK- LDK- Lista “Srbska” i është përshtatur kërkesave të Listës Serbe. Sipas tyre, votimi për të dyja këto pika, do të ishte situatë fitoreje për Listën “Srbska” dhe situatë humbjeje për Kosovën.

Në anën tjetër analistët politikë thonë se tashmë është edhe realitet se Lista Serbe nuk do ta votojë demarkimin e kufirit me Malin e Zi nëse nuk “e blen” votën për Asociacionin!?

Lëvizja “Vetëvendosje” është e bindur se koalicioni PDK-LDK i është përshtatur vazhdimisht kërkesave të Listës Serbe. Sipas kësaj Lëvizje, pikërisht duke iu përmbajtur këtyre kërkesave, Kosova po rikthehet në Serbi. “Vazhdimisht, koalicioni PDK- LDK- Lista ‘Srbska’ i është përshtatur kërkesave të Listës Serbe.

Arbana Xharra: 4 vajza më janë lajmëruar se janë ngacmuar seksualisht nga drejtorë politikë – kam prova

Arbana Xharra bën me dije shpërdorimin e postit zyrtar të zyrtarëve të lartë duke abuzuar me vajzat e reja. Ja si shkruan Arbana Xharra në rrjetin social:

“Katër vajza, më janë lajmëruar se janë ngacmuar seksualisht dhe janë kushtëzuar nga drejtorë politikë nëpër ndërmarrje publike dhe nga zyrtarë të tjerë politikë nëpër institucione të ndryshme shtetërore (ministri dhe nivel komunal).

Ato më kanë ofruar të dhëna, sms dhe dëshmi për shantazhimet që janë bërë nga matrapazët e politikës (zyrtarë institucionalë).

Por, kanë frikë të dalin qoftë edhe me iniciale sepse thonë të jenë të kërcënuara me jetë.

E kam ditur se në Kosovë ka kriminelë të llojeve të ndryshme,

por që shfrytëzojnë varfërinë e papunësinë e të rejave për të kërkuar shërbime seksuale në këmbim të vendeve të punës,

nuk kam mundur ta marr me mend.

Unë i inkurajoj të gjitha ato gra e vajza,

të cilat janë në presion nga kushdo qoftë,

të më shkruajnë në inboks,

sepse do ta trajtoj secilin rast veçmas.

Mos ua kini frikën këtyre matrapazëve.

Në momentin që publikohen dëshmitë edhe Policia dhe institucionet tjera të sigurisë do të detyrohen që të merren me rastet tuaja.

Albanologet serbe: Njerëzit janë të njëjtë, me gjuhë të ndryshme

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, tashmë është bërë pikëtakimi i një numri të madh albanologësh nga e gjithë bota, të cilët për çdo vit takohen në Prishtinë, ku edhe mbahet ky seminar.

Edicioni i 35-të i këtij seminari, në Prishtinë ka sjellë edhe studiues të shqipes nga Serbia. Në mesin e tyre janë edhe dy studente të Katedrës së Albanologjisë të Universitetit të Beogradit, Monika Mariq dhe Vanja Zhivkoviq, të cilat Prishtinën e kanë vizituar edhe më parë.

Monika Mariq nga Mitrovica e Sremit, qytet në afërsi të Beogradit, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë është studente e vitit të katërt në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Në seminar është për herë të dytë dhe po i ndjek kurset e nivelit të tretë për mësimin e gjuhës shqipe, nivel ky në të cilin përfshihen studentët që tashmë kanë njohuri të avancuara për shqipen.

“Tani është më mirë se herën e parë, sepse tani unë di shqip më mirë dhe mund të flas në rrugë, mund të njihem me njerëzit. Kemi folur në dyqane, në librari. Ata janë shumë të sjellshëm dhe kur dëgjojnë që ne jemi nga Serbia, fillojnë të flasin në gjuhën serbe ose nëse janë të rinj, na thonë ‘O sa mire, mirëserdhët”, thotë Mariq.

Edhe Vanja Zhivkoviq është absolvente nëDegën e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Beograd. Ajo vjen nga Leskovci dhe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka gjetur mundësinë e, siç thotë ajo, ambientimit me gjuhën shqipe dhe praktikumit të saj në përditshmëri.

“Gjuhën e kam mësuar, por praktika është më e vështirë. Këtu kemi mundësi të njihemi me njerëzit nga Kosova dhe nga vendet e ndryshme që studiojnë. Mendoj që është një rast i veçantë. Këtu çdo ditë e flasim shqipen, ndërkaq në Beograd është më e vështirë, sepse kemi mësime dy herë në javë dhe kemi vetëm dy profesorë, por kemi edhe lektorët që vijnë nga Shqipëria. Më e vështirë është, por ne përpiqemi të mësojmë ndërmjet nesh që të flasim”, ka thënë Zhivkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Të dy këto albanologe nga Serbia thonë se në vitet e mëparshme, kur kishin ardhur për herë të parë në Prishtinë, ishin ballafaquar me reagimet e rrethit ku jetojnë.Mariq thotë se fillimisht ishte përballur me paragjykimet e njerëzve në rrethin ku jeton, por se tash, situata është krejt më ndryshe.

“Tani nuk është njësoj sikur kur isha për herë të parë, sepse atëherë të gjithë thoshin ‘o, a nuk ka frikë të shkosh atje?’ Nuk e di se çfarë mendonin se është këtu. Mendonin se këtu ka luftë apo ku ta di unë. Por, tani të gjithë e dinë se unë e studioj gjuhën shqipe dhe që kam ardhur këtu. Unë u tregoj të gjithëve se është mirë edhe në Kosovë, por edhe në Shqipëri, që njerëzit janë të mirë dhe ata nuk na bëjnë dallime nëse ne jemi nga Serbia apo ndonjë vend tjetër”, thotë Mariq.

Zhivkoviq thotë se reagimet e njerëzve në vendin ku jeton, kur kuptojnë se ajo studion albanologjinë, janë të ndryshme.

“Kemi reagime të ndryshme. Disa befasohen pozitivisht ‘oh, sa mirë, ti do të gjesh punë, sepse është gjuhë e rrallë’. Por, ka edhe reagime të llojit ‘oh, pse pikërisht shqip’, ‘nga 28 gjuhë që ka në Beograd, ti ke zgjedhur shqipen. Pse?’. Tani janë mësuar dhe e dinë. Çdo vit, unë ju tregoj se si kam kaluar në Kosovë dhe si është puna këtu. Mendoj që edhe ata kanë filluar të besojnë që këtu është njësoj si atje, që njerëzit janë të njëjtë, që asgjë nuk është ndryshe, përveç gjuhës”, thotë Zhivkoviq.

Sido që të jetë, të dy këto studente serbe të gjuhës shqipe, thonë se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për të kaluarën, por serbët dhe shqiptarët duhet që përtej armiqësive të mëparshme, ta njohin njëri tjetrin.

Ato thonë se e studiojnë gjuhën shqipe për faktin se nuk kanë paragjykime dhe dëshirojnë të krijojnë urat e miqësisë, përtej politikës dhe politikanëve, por edhe jashtë vëmendjes së medieve. Mariq shpreson që një ditë do ta hapë një agjenci për turizëm, në mënyrë që të promovojë tek serbët, siç tha ajo, detin e Shqipërisë dhe malet e Kosovës, por edhe anasjelltas, edhe për shqiptarët vendet interesante në Serbi. (REL)

EUROPË, HIQJA KOSOVËS “MURIN SHENGEN”?! – Nga RAMIZ LUSHAJ

 

 
                1.
Hashim Thaçi, me egërsi politike, sikur të ishte kryetar i një junte politike, apo diçka tjetër, e jo President i shtetit të ri të Kosovës, shpesh i drejtohet kërcenueshëm popullit të vet: pa Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi nuk ka integrim të Kosovës në BE, etj. Kjo është “Rrena Hashim e Integrimit”, e cila ua përnget thaçmeve të tij në ajrin e politikës. Për mos me thanë ndryshe.
Patjetër, integrimi i Kosovës në Europën e Bashkuar  është ideal, rrugë e vizion i kahershëm e i sotshëm i vet popullit shqiptar të Kosovës. Krejt klasa politike e Kosovës e ka në Platformën e vet Politike. Kosova ka dhe nji Ministri Integrimi, si të gjitha vendet e Ballkanit jo antare të BE-së.
Po, e thanun troç, Kosova, me u integrue në BE e ka të vështirë, e pret nji udhëtim i gjatë. BE ka luftë blloqesh e rrymash politike kundër saj, veçmas ato sllave edhe jashtë Europës së Bashkuar, që kultivohen e zotnohen prej shekujsh e veprimtarojnë kundër Kosovës në çdo tik-tak kohe, me fytyrë mesjetare apo moderne.
E, tjetra, me u pranue nji vend kandidat për në BE, si rasti Shqipëria, duhet me u dakortësue të gjitha vendet antare të BE në institucione të shteteve të tyre dhe, kjo, është nji proçedurë disi e gjatë. Po fakti se pesë vende të BE: Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia e Qipro, nuk e njohin ende Kosovën, tregon se sa i largët do të mbetet integrimi europian i saj.
Me sa duket për Hashim Thaçin e  Isa Mustafën me nji pushtet kaq të gjatë, me diktate të mëdha e me akuza të shumta, kaq e pati kariera e tyne politike, ndaj tashti Kosovës i duhen figura të tjera të reja në kryevende të caktuara të saj, pa i distancue apo menjanue në rikthime apo në lobingje as dhe ish presidentët prof. dr. Fatmir Sejdiu, Behxhet Pacolli, Atifete Jahjaga.
 
2.
E shumta dhe e veçanta e mirëpritur nga BE është dhe mbetet Liberalizimi i Vizave. Përndryshe: Marrëveshja e vonuar Shengen.
Europa nuk duhet të harrojnë se në mitologji, në legjenda klasike, është nji hallë e stërlashtë e ilirëve. Pra, bashkarisht, jemi Europa. Jemi të parët e saj, para se të vinin në Europë shumë nga popujt (shtetet) që tashma janë antare të saj.
Bojkotimi i derisotëm i Kosovës në Lëvizjen e Lirë (Shengen) është turpi ma i ri i Europës.
Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se qysh në hershmërinë ilire, rreth tre mijë vjet ma herët, kena kapërcye dete e male të Lindjes e të Perëndimit me “pasaporta” zyrtare të asaj kohe: me bojë në papirus ose pergamentë, gdhendur mbi pllakë të hollë bronzi ose guri.
Ndaj Kosova duhet t’i kujtojnë Europës se perandorë romak e bizantintë të saj e drejtuan Perandorinë Romake kur ishte Njish dhe kur u nda më Dysh, si Konstandini i Madh që e njohu zyrtarisht Krishtërimin, si Justiniani i Madh që e la “Kodin e Justinianit” në themele të sotme juridike të Europës, etj. etj.
Po, Kosova ka qënë dhe mbetet në zemër të Europës, në mesin e dheut (Mesdhe), ndërsa prania e sotme e shumanshme e Bashkimit Europian në Kosovë është vet “Fytyra e Kosovës”, aq sa për popullin shqiptar të Kosovës, në nji kuptim e realitet të caktuar, duket sikur “Kosova është BE dhe BE është Kosova”…
Ndaj duhet thanë se me sjellje të tilla të saj, me “Murin Shengen”, Europa e Bashkuar po e tepron dhe po e turpëron përditë e ma shumë vetveten në sytë e kombit shqiptar e të botës euro-atlantike.

Grafite serbe në Ambasadën e Kosovës në Paris, Prishtina dënon sulmin

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njofton se sot para dite, stafi i Ambasadës së Kosovës në Paris e ka gjetur të dëmtuar pllakatën në hyrje të ndërtesës ku ndodhet Ambasada, e cila është vandalizuar me simbole nacionaliste serbe të kohës së Millosheviqit dhe ekstremistëve e nacionalistëve serbë,transmeton Gazeta Express.

Ministria e dënon këtë akt barbar që është jashtë çfarëdo standardi dhe rregulli diplomatik dhe ka kërkuar nga autoritetet kompetente të sigurisë në Francë t’i gjej fajtorët të cilët duhet të marrin dënimin e merituar.

Ky nuk është rasti i vetëm që Ambasada e Kosovës në Paris ka qenë cak i vandalistëve të cilët propagandojnë dhe përpiqen të ndjellin frikë tek trupi diplomatik i Kosovës në këtë shtet.

MPJ zotohet se i gjithë shërbimi diplomatik nëpër botë do të vazhdoj ta kryejë punën e tij në mënyrë profesionale dhe në shërbim të interesave të qytetarëve të saj pavarësisht kërcënimeve e shantazheve.

Policia: Nuk ka elemente të veprës penale në rastin e pankartës në Mushtisht

Policia e Kosovës thotë se nuk ka elemente inkriminuese në rastin e pankartës të vendosur në hyrjen e fshatit Mushtisht të Suharekës me fotografitë e shtëpive të djegura të fshatit gjatë luftës në Kosovë.

Një zëdhënës i Policisë së Kosovës në Prizren, Hazir Berisha, i tha Radios Evropa e Lirë se “policia nuk ka gjetur elemente të veprës penale, meqë bëhet fjalë për lirinë e shprehjes së qytetarëve që nuk është e ndaluar dhe e kundërligjshme”.

Pankarta, me përshkrimin, “Kjo është çka kanë lanë pas veti kur u larguan nga Mushtishti serbët lokal“, u vendos në kohën e paralajmërimeve të kthimit të serbëve të zhvendosur në këtë fshat dhe në prag të një feste serbe.

Vendosja e pankartës ka shkaktuar një valë reagimesh të udhëheqësve politikë serbë, përfshirë edhe Ministrinë për komunitete dhe kthim. Reagimeve, të hënën, iu bashkua edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, nga radhët e Listës Srpska, Branimir Stojanoviq, që duke e dënuar “vendosjen e pankartës, theksoi përkushtimin për kthimin e serbëve në fshat”.

Ai tha se numri më i madh i banorëve ka shprehur gatishmërinë për kthimin e serbëve, por “vendosja e pankartës nga persona që nuk janë nënshkruar, flet se kthimi i serbëve nuk është diçka që e duan të gjithë”.

“E dimë se në vitin 1999 shumëçka e rëndë ka ndodhur në ato hapësira. Shprehim keqardhje për të gjtiha viktimat dhe nuk duam t’i mohojmë. Por, nuk pranojmë kualifikimin se të gjtihë serbët janë fajtorë për këtë” ,tha Stojanoviq dhe shtoi se “përpjekjet për kthimin në Mushtisht do të vazhdojnë”.

Ai bëri thirrje banorëve të Mushtishtit që të përmbahen dhe që ardhjen e serbëve me 28 gusht në festën e tyre dhe përgjithësisht kthimin e serbëve mos ta shohin si kërcënim. (REL)

Kosova kthen në Londër priftin e akuzuar britanik

Autoritetet e Kosovës e kthyen në Londër një ish prift katolik britanik, që kërkohej nga autoritetet britanike, nën dyshimin për abuzim seksual me fëmijë.

Ish prifti Lawrence Soper, po ndiqej nën dyshimet se gjatë viteve 1972 – 1986, në kohën kur shërbente si prift katolik në Kishën Ealing Abbey në Londër, kishte abuzuar me fëmijët.

Ai ishte arrestuar në vitin 2010, për t’u liruar me kusht dhe nuk ishte paraqitur më kurrë në stacionin policor dhe për këtë arsye policia britanike kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në vitin 2012.

Në muajin maj të këtij viti ai u arrestua në qytetin e Pejës në Kosovën perëndimore, ku kishte jetuar për një kohë me emrin Andrew, por nuk janë dhënë hollësi për veprimtarinë e tij.

Lawrence Soper është arrestuar më të zbritur në Londër nga policia britanike.

Protestat e ndara të subjekteve politike ndihmojnë pushtetarët! – Nga Florim Zeqa

Protesta e ndara të subjekteve politike, përveçse ndihmojnë pushtetarët, favorizojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend.
Një thënie e urtë popullore e thotë: ” Kurbani nuk mbahet natën e Bajramit”, andaj edhe protesta e paralajmëruar e Levizjes Vetëvendosje me 1 Shtator, pikërisht në ditën kur pritet që në Kuvendin e Republikës së Kosovës të votohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi,…përveqse e vonuar, mund të bëhet vetëm një shkas për trazira dhe dhunë, por jo edhe pengesë për votimin e Demarkacionit.
Demarkacioni mund të pengohet në brendi të kuvendit, jo me dhunë por me votën e deputetëve të kuvendit të Republikës së Kosovës.
Çështja e shënjimit të kufirit me shtetet fqinjë, përvqese politike dhe shtetërore, është gjeografike, historike, kulturore dhe etnike, ngase përcakton vijën ndarëse dhe identitetin gjeografiko-nacional mes dy shteteve.
Si e tillë, është çështje me rendësi kapitale për vendin dhe u përket të gjithë qytetarëve. Andaj, për pengimin e Demarkacionit sipas variantit qeveritar, duhet të shfrytëzohen të gjitha format e demokratike të protestimit dhe demonstrimit të pakënaqësive para datës 1 Shtator,…të unifikuar të gjithë si një trup i vetëm, në të kundërtën, çdo formë e protestimit parcial, të ndarë në grupacione dhe parti politike, jo vetëm që nuk do ta pengoj ratifikimin në kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi,…ndihmon pushtetarët dhe favorizon grupacionet politike dhe parapolitike, ushqen krimin e organizuar dhe korrupsionin endemik në vendin tonë.
Sa më shumë ofrohet dita e votimit në kuvend (1 Shtatori), aq më tepër po shtohen kërcënimet e liderëve të partnerit të koalicionit qeverisës drejtuar deputetëve të partive të tyre,…këto forma të shantazhit politik të së kaluarës komuniste, janë një ogurë i zi për të ardhmen demokratike të vendit dhe një dëshmi më shumë se varianti qeveritar i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, s’është gjë tjetër veqse një pazar politik i liderëve tonë shtetëror, një kontrabandim i territorit të vendit për interesat e tyre personale dhe kënaqjen e orekseve grabitëçare të fqinjëve tanë.
Përndryshe 1 Shtatori është një test i radhës për deputetët shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëse janë në shërbim të qytetarëve dhe vendit të vet apo kanë shitur shpirtërat e tyre për interesa të djallit (liderëve partiak), për përmbushjen e egove personale për privilegje dhe pasurim në dëmë të vendit dhe në kurriz të qytetarëve.
Po i kthehem edhe një herë titullit të shkrimit, për protestat e ndara të subjekteve politike. Shqetësues për proceset e ardhshme demokratike në vend, mbetët edhe injorimi i protestës së 19 Gushtit të Ballit Kombëtar Demokrat nga ana e mediave publike, një pjesë e partive opozitare dhe shoqërisë civile.
Protestat e ndara të subjekteve politike për të njëjtën “kauz” janë sa të  palogjikshme, po aq edhe të dëmshme dhe pavlerë për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, në pengimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të komunave serbe në veri,…luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive të shumta negative në vendit tonë.
Vetëm unifikimi i faktorëve politik opozitar, shoqërisë civile dhe qytetarëve pa dallime partiake, fetare dhe ideologjike mund të shpëtoj vendin nga humbja e rreth nëntë mijë hektarëve tokë të bekuar të vendit dhe largimin e shpejtë të kësaj klase kusarësh politik.
Në të kundërtën, vendi përveqse rrezikon tkurrjen territoriale dhe humbjen e sovranitetit politiko-juridik, rrezikon të mbetët gjatë nën udhëheqjen e oligarkisë aktuale në pushtet, nga e cila gjithnjë e më pak po na mbetët shtet!

Letra: Si i persekuton Kosova të diplomuarit e saj në Shqipëri!

E nderuar Ministre znj.Nikolli

I nderuar Ministër z.Bajrami

Po ju drejtohem me një letër të shkurtër me të cilën shpreh shqetësimin tim dhe të shumë të tjerëve.  Po shkruaj për bashkëshorten time, e cila ka më shumë se një vit që ka doktoruar në Republikën e Shqipërisë. Pasi ka marrë diplomën ajo ka konkururar për njohje të saj në zyrën përkatëse të Ministrisë së Arsimit në Kosovë. Janë bërë pesë muaj që ajo nuk ka marrë përgjigje lidhur me fatin e diplomës së doktoraturës së fituar në UET.

Kjo zonjës sime tashmë i ka kushtuar tepër shumë sepse ka lëshuar rastin që të merr pjesë në konkurse, të cilat tashmë janë mbyllur. Zonja ime nuk ka pasur mundësi të merr pjesë në konkurse sepse nuk ka pasur mundësi të konkurojë në mungesë të vendimit për njohje/nostrifikim. Në konkurset që kanë shpallur universitetet është thënë shprehimisht se kandidatët që nuk kanë dëshmi të nostrifikimit, do të konsiderohen se kanë dosje të pakompletuara. Kështu zonja ime, e doktoruar në një universitet serioz shqiptar, e përgatitur shumë në aspektin akademik ka humbur rastin që të jetë pjesëmarrëse në konkurs dhe ka rrezik që të mbetet përgjithmonë pa qenë e punësuar në fushën e vet, nga shkaku i vendimeve dhe procedurave burokratike (krejtësisht të paqëndrueshme dhe të paarsyeshme sidomos kur është fjala për dy vendet tona që synojnë integrime evropiane e nuk integrohen kombëtarisht).

Nuk ka se si të kuptohet e aq më pak të arysetohet një zvarritje e procesit të njohjes së diplomave në Kosovë (për diploma të Republikës së Shqipërisë) dhe në Shqipëri (për diplomat e fituara në Kosovë).

Në Kosovë diplomat e fituara në Maqedoni njihen për një kohë shumë të shkurtë. Thuhet se kanë filluar të njihen edhe diplomat e universitetit klandestin të Mitrovicës së veriut. Këtu nuk ka nevojë më për asnjë koment.

Vështirësitë dhe pengesat, e të mos themi refuzimi i njohjes së një diplome të doktoraturës të UET, ta zëmë në Kosovë nuk mund të arsyetohet me asgjë. Mund të supozohet se shkaqet janë nga më të ndryshmet duke filluar me: xhelozinë, me ruajtje të vendeve për njerëz të caktuar deri sa të doktorojnë dikund tjetër, me punësime sipas stilit Pronto (aktual shumë ditët e fundit në Kosovë), me eliminim të qëllimshmë të personave të caktuar që kanë doktoru në Republikën e Shqipërisë (apo anasjelltas), me qëllime të ndonjë përfitimi të personave të caktuar në baza politike apo edhe në baza tjera, etj. Absolutisht nuk kemi të bëjmë me shkaqe akademike. Jo në asnjë mënyrë.

Në fillim të vitit në Kosovë u muar një vendim, me të cilin u mundësua që kandidatët që kanë marrë diploma në universitetet shqiptare të konkurojnë për njohje. Kam parë se zonja ime është dashur të përgatitë dosjen personale dhe të shkojë direkt në Agjencioni Shqiptar të Akreditimit ku ka marrë edhe një dokument shtesë në emrin personal lidhur me ate nëse programi ka qenë i akredituar. Është detyruar të vrapojë në Tiranë, pastaj të noterizojë dokumente, të kompletojë dosjen dhe në fund të konkurojë. Konkurimin e bëri në muajin Prill dhe deri më sot asnjë përgjigjje. Një kolege e saj që doktoroi në Maqedoni konkuroi disa muaj më pas dhe ajo mori vendimin e nostrifikimit. Si mund të quhet kjo? A mund të arsyetohet? A mos ishte vendimi i nxjerrë në fillim të vitit një dokument sa për sy e faqe? Apo si mund të shpjegoni këtë. Të mos flasim për trajtimin që kam parë si u bëhet kandidatëve në procesin e aplikimit. A nuk meritojnë një respekt më të madh kadidatet aplikante? Ato së paku janë doktor shekncash në fushën e caktuar dhe meritojnë një respekt. Nuk ëshët punë e lehtë të doktorosh. Këtë të gjithë e dimë.

Duke parë procesin e njohjes dhe vështirësitë, nga koleget e zonjës sime ka dëgjuar histori të ndryshme për vështirësitë dhe zvarritjet në proces në të dyja shtetet. Kam parë se kandidatëve tash nuk u lejohet mbrojtja finale e doktoraturës nga shkaku se u nevojitet vendimi i njohjes së shkollimit paraprak nga Ministria Shqiptare. Dhe ky proces zgjatë muaj dhe në disa raste edhe vite. Siç kam parë dhe dëgjuar nga kadidatët, çështja është te komunikimi në mes ministrive, të cilat duhet ti përgjigjen njëra tjetrës lidhur me vlefshmërinë e diplomave. Vërtet e dhimbshme. Tirana dhe Prishtina janë shumë larg dhe u duhen shumë muaj që të kuptojnë nëse një diplomë, një dokument është fituar në mënyrë legale në të dy shtetet respektive. Absurd i llojit të vet.

Mund të shkruhet shumë gjatë lidhur me këtë proces që nuk mund të quhet ndryshe veçse absurd që nuk i kontribuon në asnjë mënyrë të mirës sonë, përgjithësisht. Dëshirojmë integrime evropiane ndërkohë që nuk jemi të gatshëm të integrohemi në mes vete.

Ky proces burokratik, në asnjë mënyrë i arsyeshëm është fare i panevojshëm. Në fund të fundit nëse pala ka ofruar dosjen komplete, është përgjegjësi e tij. Nëse dyshohet në validitetin e dokumenteve, atëherë ligjet janë të qarta dhe dihet si duhet vepruar. Zyrtarë të të dyja ministrive takohen dhe mund të takohen çdo ditë dhe mund të verifikojnë brenda pak orësh atë në çka eventualisht mund të dyshohet.

E nderuar ministre dhe i nderuar minsitër,

Veproni urgjentisht. Ka një mllef që po rritet në të dyja anët. Këtë e kam parë këto muaj dhe mllefi nuk prodhon gjëra të mira. Mos i merrni në qafë njerëzit. Veproni dhe ua lehtësoni rrugën njerëzve të dëshmuar. Ju në fund të fundit jeni për të shërbyer dhe për të lehtësuar proceset. Mos lejoni që njerëzit (të cilët meritojnë respekt edhe ashtu sepse kane marrë grada shkencore dhe me mjaft vështirësi) të vuajnë nga kapardisja e zyrtarëve, nga pengësat që dalin nga frika e konkurencës, etj.

Nuk do dëshiroja të shoh doktor shkencash të detyrohen të protestojnë para dyerve të ministrive, të cilat po dalin pengesë dhe subjekte që eliminojnë kandidatë duke i diskriminuar me të vetmin fakt: nuk kanë diploma të nostrifikuara. Nga sa kam parë protesta ka për të ndodhur shumë shpejt. Po bëhemi përrallë e Zotit para botës. Si mund të kërkojmë të na njeh bota kur ne nuk njohim njëri tjetrin.

Unë vendosa të shkruaj në emër të zonjës sime. Shoh se shumë do të reagojnë së shpejti. Konkurset po hapen dhe po mbyllen dhe njerëzit po diskriminohen vetëm nga shkaku i vendimeve dhe procedurave administrative. Zonja ime humbi shumë kësaj rradhe. Uroj që të mos humbasin të tjerët. Ju lutem u jepni mundësi njerëzve të futen në konkurencë. Le të eliminohen për jokualitet dhe jo për procedura dhe vendime administrative.

Unë këtë letër po e dërgoj edhe tek disa gazeta shqiptare, kurse ju lirisht mund ti publikoni kudo që dëshironi.

Shpresoj shumë se nuk do rrezikoni të tjerët me mosveprimin tuaj. Muaji gusht është muaj final që jep edhe pak shanse për njerëz.

Respekt nga unë i dëshpëruari,

Dukagjin Kelmendi

Prishtinë

Opozita – e bashkuar kundër demarkacionit, e ndarë për protestë

Liqeni, vija ndarëse mes Kosovës dhe Malit të Zi, në Kuçishtë

Subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, do të marrin pjesë në seancën e paralajmëruar të Kuvendit të Kosovës, më 1 shtator, në të cilën, ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, do të hidhet në votim.

Përfaqësuesit e të tri subjekteve opozitare, thonë se do të votojnë kundër kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e këtij subjekti opozitar për ta ndalur ratifikimin e marrëveshjes, përveçse në Kuvend, do të bëhen edhe përmes protestës, të cilën e kanë ftuar për datën 1 shtator.

“Ne konsiderojmë që vendimi për dërgimin e Marrëveshjes së demarkacionit për ratifikim në Kuvend, është rrëshqitje drejt një tradhtie, e cila tash po dëshirohet që të shpërndahet si përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës”.

“Si të tillë, e shohim të papranueshme, prandaj kemi thirrur protestë për datën 1 shtator dhe në këtë protestë do të protestojmë edhe në shesh, si qytetarë, por edhe në Parlament, si përfaqësues të popullit. Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të përdorim metoda demokratike për ta ndalur këtë proces”, thotë Hoxha.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thekson që ky subjekt opozitar e kundërshton ratifikimin e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi, duke e quajtur atë si qëndrim vetëm të Qeverisë së Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshton dhe kërkon nga deputetët që të votojnë kundër këtij qëndrimi të qeverisë, sepse konsiderojmë se Kosova po humbë territor, duke u bazuar në ekspertizën e ekspertëve më eminent, madje edhe të atyre që i takojnë pozitës. Ne nuk jemi pjesë e organizimit të protestës. Por, normalisht, është e drejtë qytetare e kujtdo që të dalë në kundërshtim të kësaj marrëveshje”, thekson Isufi.

Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti opozitar do të jenë pjesë aktive në seancën e 1 shtatorit të Kuvendit të Kosovës, për t’i ripërsëritur qëndrimet kundër ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Jemi shumë të bindur që edhe një pjesë e madhe e deputetëve të shumicës parlamentare e kanë kuptuar këtë dhe këtu nuk shihet ndonjë rrezik se kjo marrëveshje do të kalojë. Ndërsa, sa i përket protestës, ajo është thirrur në mënyrë individuale nga Vetëvendosja. Ne i mbështesim protestat paqësore dhe lëvizjet qytetare. Natyrisht që qytetarët mund të marrin pjesë, por ftesa jonë për një protestë, pa qenë pjesë e organizimit, është pak si në dilemë”, shprehet Berisha.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë funksion kanë qenë edhe porositë që ditë më parë i ka bërë nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë qëndrimit në Kosovë. Megjithatë, këto porosi nuk kanë bërë që subjektet opozitare të lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Ylli Hoxha thotë se porositë e nënpresidentit Biden, kanë qenë të pritshme për Lëvizjen Vetëvendosje:

“Nuk mund të presësh ndonjë porosi tjetër nga burrështetas të huaj, atëherë kur burrështetasit tanë janë të gatshëm të bëjnë koncesione. Nuk e çajnë kokën se Kosova i humbë 8 mijë hektarë. Pse duhet ta çajë kokën atëherë Joe Biden për këtë çështje?”.

Ahmet Isufi thotë se në parim, marrëveshjet për definimin e kufirit me shtete fqinje duhet të bëhen, dhe angazhimet e miqve janë të mirëpritura. Por, AAK, sipas tij, nuk mund të mbështesë marrëveshje, siç thotë ai, që dëmtojnë Kosovën.

“Ne, normalisht që i mirëpresim angazhimet e tilla, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë bërë shumë për Kosovën. Por, mendoj se qeveria ka gabuar dhe Komisioni qeveritar ka devijuar nga vija e kufirit. Prandaj, ne konsiderojmë se nuk duhet lejuar që të humbim territor. Ndërsa, sa i përket fqinjësisë së mirë, Kosova duhet ta ketë me të gjitha shtetet fqinje”, deklaron Isufi.

Zafir Berisha e fajëson Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Konsideroj që qeveria me qëllim e ka :hargitur këtë çështje deri në këtë situatë që jemi, me idenë që nga presionet pozitive – kushtimisht po them – ta votojmë një version të gabuar”.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është kushti i vetëm i mbetur i Kosovës, plotësimi i të cilit do të siguronte liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky kusht, siç kanë theksuar zyrtarët e Bashkimit Evropian, nuk është vendosur tash së voni, por “që nga viti 2012, kur Bashkimi Evropian u pajtua me Kosovën për hartën e rrugës që çonte drejt liberalizimit të vizave”.

(Fotogaleri) Analfabetët kriminelë të qeverisë të korruptuar të Kosovës e përjashtuan Vjosa Osmanin gjatë vizitës të Nënpresidentit Joe Biden

Voal – Voal. ch shkruan se barbaria e koalicionit PDK-LDK përjashtoi dy deputetë të LDK-së, deputeten Vjosa Osmani dhe deputetin Prof.asoc.dr. Shpejtim Bulliqi që të merrnin pjesë në aktivitetet zyrtare gjatë vizitës të Nënpresidentit të SHBA Joe Biden në Kosovë.

Por nuk mjaftoi kjo barbari!

Koalicioni PDK-LDK që aendron në pushtet pa votën e lektoratit të LDK-së nuk u mjaftuan me barbarinë e rradhës por në gazetat ku punojnë mercenarët e tyre,  këtë përjashtim ia dedikuan sikur ta kish bërë “Ambasada e SHBA në Kosovë”. Një shpifje e vërtetë të cilën e kanë denocuar vetë Osmani dhe Bulliqi!

Shikoni ku shkon kriminaliteti i tyre!

Mos harrojmë se Vjosa Osmani dhe Shpejtim Bulliqi ishin dy nga deputetët e LDK-së që nuk e votuan Thaqin si president. Shikoni pra si hakmerret dueti Thaqi-Mustafa!

Vjosa Osmani  është takuar me tre presidentë të SHBA dhe kandidaten për presidente dhe me gjithë top-administratën e SHBA!

Kur ia bëjnë kështu Vjosa Osmanit a e merrni dot me mend se si ia bëjnë të tjerëve!

Voal po ju sjell një CV të shkurtër të Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani (lindur më 17 maj 1982, Mitrovicë) juriste, shqiptare nga Kosova. Pra çlirimi i Kosovës e gjeti veç 17 vjeçare.

Më 1 gusht 2006, u emërua Këshilltare e Presidentit Fatmir Sejdiu për Çështje Ligjore dhe Ndërkombëtare ndërkaq nga 27 gushti 2009 është zgjedhur Shefe e Stafit të Presidentit të Republikës dhe njëherit vazhdoi të këshillonte Presidenten Atifete Jahjaga në fushën e çështjeve ligjore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.[1]

Vjosa mësimet fillore dhe ato të mesme i ndoqi në vendlindje. Ndërsa mësimet e larta i mori gjatë studimit në Prishtinë, në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Pas përfundimit të studimeve në Prishtinë, Departamenti i Shtetit të SHBA-së i ofrojë një bursë në kuadër të programit të tyre, ashtu që i mundësuan për të vazhduar studimet e magjistraturës në Universitetin e Pittsburgh-ut në SHBA.

Studimet e magjistratures i përfundoi me nderime te larta dhe nga Universiteti i Pittsburgh-ut iu ndanë disa çmime për suksesin e arritur gjate studimeve.

Ka punuar në Këshillin e Evropës, Departamentin e Drejtësisë, në Gjykatat e Kosovës, dhe ka qene e angazhuar me honorar si eksperte në Kryqin e Kuq Ndërkombëtar.

Në Kosovë ligjëron të drejtën ndërkombëtare në Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës te drejten kushtetuese dhe shkrimin akademik ne Rochester Institute of Technology-American University in Kosovo[2] dhe të drejtën e biznesit në Universitetin Riinvest, ndërkaq në SHBA ligjëron lëndën “Shtetndërtimi dhe E drejta” në Universitetin e Pittsburgh-ut.

Përveç gjuhës amtare, flet edhe anglishten, turqishten, spanjishten dhe serbishten.

vjosa 1

vj2

 

vj3vj4vj5vj6

vj7vj8

Ymeri: Thaçi të luftohet deri në gjunjëzim

Lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka përmendur se largimi i Thaçit nga pushteti dhe ndalimi i demarkacionit bëhet duke luftuar vendimet e tij.

Ymeri po ashtu përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se, presidenti duhet të luftohet deri në gjunjëzim.

“Kjo pronto klikë kriminelësh luftohet duke ua luftuar vendimet. Cilindo vendim në cilëndo kohë. Deri në gjunjëzimin e plotë të tyre. Kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacion është kundërshtim i krimit, siç është luftimi i kriminelëve luftim i vendimeve të tyre kriminale”, ka thënë Ymeri, pas deklaratës së Thaçit se demarkacioni me Malin e Zi duhet të ratifikohet në Kuvend.

Postimi i plotë i Ymerit:

Kumbara i familjes Pronto, Thaçi, po vazhdon të insistojë që agresionin e tij ndaj territorit të Kosovës ta shndërrojë në realitet institucional përmes Kuvendit.

Natyrisht që mafiozët si puna e tij nuk dijnë ndryshe të kryejnë punë pos përmes kërcënimit, shantazhit, reketit, zhvatjes e mitos.

Kështu e kapi shtetin, pastaj Presidencën. Tash kështu po don ta çojë deri në fund agresionin ndaj territorit.

Edhe po të mos kishin qenë fare argumentet e ekspertëve e dëshmitë e banorëve, vet fakti që një mafioz si Thaçi po e mbron me kaq zell këtë marrëveshje, është fakt i mjaftueshëm për të mos e pranuar atë.

Lëre më që nuk mund ta gjesh një njeri që ta thotë se me këtë marrëveshje nuk humbim asgjë.

Kjo pronto klikë kriminelësh luftohet duke ua luftuar vendimet. Cilindo vendim në cilëndo kohë.

Deri në gjunjëzimin e plotë të tyre. Kundërshtimi i marrëveshjes për demarkacion është kundërshtim i krimit, siç është luftimi i kriminelëve luftim i vendimeve të tyre kriminale.

PDK-LDK premtuan 200 mijë vende të reja pune – ku janë?

Po t’i mbanin premtimet parazgjedhore dy partnerët e koalicionit qeverisës (PDK-LDK), gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë do të duhej të hapeshin 100 mijë vende të reja pune, nga 200 mijë sa ishin premtuar gjatë një mandati 4-vjeçar të ekzekutivit.

Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në qershor të vitit 2014, PDK-ja kishte premtuar se po të drejtonte Qeverinë gjatë një mandati qeveritar do t’i hapte 200 mijë vende të reja punës, përderisa 120 mijë i kishte premtuar LDK-ja e kryeministrit Mustafa.

Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, shumë pak vende pune janë hapur deri më tani, madje edhe më pak se që janë hapur në mandatet e qeverive të mëparshme.

Përpos vendeve të reja të punës, dy partitë më të mëdha në vend kishin premtuar edhe shndërrimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), si dhe liberalizimin e vizave për kosovarët, premtime këto që ende nuk janë plotësuar etj. /zeri/

PDK-LDK i kanë vetëm 75 vota për demarkacionin (video)

Koalicioni i “elefantëve”, siç njihet ndryshe koalicioni PDK-LDK, aktualisht nuk i ka votat e nevojshme për votimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.   Edhe pse ky koalicion numëron 83 deputetë në Kuvendin e Kosovës, PDK dhe LDK aktualisht pretendohet t’i kenë jo më shumë se 75 vota për ta votuar vijën kufitare më Malin e Zi.

Burime të televizionit brenda grupeve parlamentare të partive në pushtet bëjnë më dije se janë së paku tetë deputetë të këtyre partive të cilët janë kundër versionit aktual për demarkimin e kufirit me shtetin fqinj.  Përderisa në PDK janë tre deputetë të kësaj partie të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë këtë marrëveshje, në LDK situata është më e komplikuar. Deputetët Shpejtim Bulliqi, Vjosa Osmani, Murat Hoxha, Adem Salihaj dhe Arben Gashi janë kundër versionit aktual të kësaj marrëveshje. Gjithnjë sipas këtij burimi, PDK i ka më shumë në kontroll deputetët e saj.

Kosovë: Zbatimi i MSA ul me 10 milionë euro të hyrat doganore mujore

Muajt e parë të zbatimit të Marrëveshjës së Stabilizim Asocimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, vlerësohen se kanë përkeqësuar edhe më shumë bilancin tregtarë në vend. Brenda katër muajve të hyrjes së fuqi të MSA-së, importet kanë shënuar rritje.

Të dhënat e fundit nga Tregtia e Jashtme në Kosovë të cilat flasin për muajin qershor tregojnë për një deficit tregtar më të lartë, prej mbi 200 milion euro. Eksporti i mallrave në muajin qershor kishte vlerën 30 milion euro, ndërsa importi rreth 250 milion euro.

Zyrtarë të Doganave të Kosovës po ashtu bëjnë të ditur se Marrëveshja për Stabilizim Asocimit, ka pasur ndikim edhe në zvogëlimin e të hyrave të tatimit doganor për mbi 10 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci duke folur për Radion Evropa e Lirë ka treguar për efektet e para të cilat i ka pasur MSA.

“Ne kemi qenë të përgatitur dhe deri tani nuk kemi pasur asnjë problem të vetëm në zbatimin e MSA-së, ndryshe nga shtetet tjera të cilat kanë pasur probleme, siç është ndryshimi i sistemeve të zhdoganimit, apo vjeljes së taksave”.

“MSA ka prodhuar efektet e veta. Deri tani kemi lirime të produkteve që importohen nga BE-ja si rrjedhojë e zbatimit të MSA-së , në vlerën prej mbi 10 milion euro. Ka produkte që janë me taksë zero dhe ka produkte që kanë tatim nëntë për qind”, thekson Stavileci.

Në këtë kuadër edhe importi i veturave të reja që importohen nga shtetet e Bashkimit Evropian, raportohet se ka shënuar rritje të mëdha. Sipas Stavilecit me zbatimin e MSA-së importi i veturave është liruar për 10 për qind, pasi nuk paguajnë taksën doganore nga vlera e përgjithshme e automjetit.

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar MSA-në më 27 tetor të vitit 2015, derisa ajo ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.

Kjo marrëveshje parasheh që disa produkte që në fillim të lirohen nga taksa doganore. Në vitin e parë, tatimi doganor për disa produkte ulet nga dhjetë për qind sa ka qenë më parë, në tetë për qind. Vitin e dytë në gjashtë për qind, vitin e tretë në katër për qind dhe vitin e katërt, në dy për qind. Derisa pas vitit të katërt do të jetë zero për qind për të gjitha produktet.

Nga heqja e taksës doganore të produkteve që importohen nga BE-ja, është theksuar se do të pësojnë të hyrat në Doganat e Kosovës. Stavileci ka deklaruar se në vitin e parë të zbatimit të MSA-së, parashihet të ketë një zvogëlim në të hyra të tatimit doganor, deri në 25 milionë euro.

“Ne kemi pasur rënie të taksave, por në anën tjetër kemi pasur rritje të importit nga ana e Bashkimit Evropian. Tek automjetet kemi një rritje të fluksit të importit të automjeteve, pasi që ato kushtojnë më lirë tani. Nëse shihet viti 2015 kemi pasur 25 milion euro të mbledhura derisa gjatë këtij viti kemi 35 milion euro të mbledhura”, thekson ai.

Në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), deri në vitin 2020 do të investojë në Kosovë, mbi 600 milionë euro. Nga kjo shumë e mjeteve do të përfitojnë edhe prodhuesit nga Kosova.

Ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë presin që këto mjete të ndikojnë në rritjen dhe zgjerimin e kapacitetet të prodhuese dhe përpunuese vendore, ku më pas do të ketë edhe rritje të eksportit.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë se efektet pozitive nga zbatimi i MSA-së, do të shihen në fund të vitit. Ai thotë se produktet e Bashkimit Evropian të cilat vinë në Kosovë do të duhej të shënojnë ulje.

MSA shton Gashi do të jetë një mundësi e mirë edhe për investime të huaja, për arsye se investitorët do të kenë qasje në një treg prej mbi 500 milion banorë.

“Bilanci tregtar do të ndikohet pak nga MSA, por në të ardhmen mendojë se bilanci tregtarë do të jetë më pozitiv për arsye se eksportet kosovare do të kenë qasje më të lehtë në tregun e BE-së, ndërsa sa i përket importit nuk mendojë se do të ketë ndikim domethënës për arsye se 45 për qind e produkteve të BE-së kanë hyrë në Kosovë edhe para zbatimit të MSA-së”, thekson Gashi.

MSA-ja kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë që mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e aplikuara të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje, nga autoritetet e Kosovës ishte konsideruar si hapi i parë në kuadër të proceseve integruese evropiane. (REL)

Heshtja që flet! – Nga Florim Zeqa

Publikimi i pergjimeve të aferës skandaloze “Pronto 2” nxori në sipërfaqe shumë të vërteta, për të cilat më parë flitej vetëm në mënyrë hipotetike. Pas bërjes publike të pergjimeve telefonike, folën ata që heshtën, ndërsa po heshtin ata që folën deri dje!
Thonë në disa raste, “heshtja është flori”, e në të tjera “miratim i së keqës”.
Mirëpo heshtja e dy krerëve shtetëror, e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Mustafa lidhur me pergjimet telefonike të “Pronto 2”, nuk u përket dy varianteve të sipërpërmendura. Heshtja e tyre është e llojit të veqant, është heshtje që flet më shumë se një mijë fjalë.
Heshtja e dy krerëve shtetëror, është heshtje e turpshme, e cila në vete ngërthen dy gjëra; frikën nga Gjykata Spesiale dhe servilitetin e skajshëm ndaj ndërkombëtarëve.
Bashkimi i Thaçit e Mustafës në koalicionin qeverisës, është bashkim i dy figuarve kontraverse politike, i dy nëntokave politike, është bashkim i dy klasave diametralisht të kundërta,…por që kanë edhe disa gjëra të përbashkëta si; korrupsioni, krimi i organizuar, nepotizmi dhe kapja e shtetit,…të përbashkët e kanë edhe të kaluarën e tyre gjatë periudhës së luftës çlirimtare, në “vjeljen” e mërgimtarëve pëmes fondeve të 3 %-it dhe “Vendlindja Thërret”.
Ishin dhe janë dy grupacione politike, përveqse përfituan nga shpërdorimi i djersës së mërgimtarëve, u ngriten në majat e pushtetit duke bashkëpunuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
Ashtu si në luftë, edhe në paqe u bënë milionerë në kurriz të popullit të tyre
Përderisa heshtja e presidentit Thaçi, është e lidhur me pazarin politik për Kosovën me ndërkombëtarët në dëmë të bashkëpartiakëve dhe ish bashkëluftëtarëve, për të shpëtuar “lëkurën”  nga Gjykata Speciale,…kryeministri Mustafa hesht nga frika e keqpërdorimit të fondit të 3 % dhe bërjes publike të aferave korruptive dhe nepotizmit partiak dhe familjar.
Kryeministri i vendit, edhe para lidhjes së kurorës qeverisëse me rivalin partiak, i kishte punësuar njerëzit e vet nëpër Borde dhe Agjensione përmes SHIK-ut dhe nëntokës politike të PDK-së.
Ndërsa pas lidhjes së kurorës qeverisëvse në mënyrën më të turpshme, me aktin e tradhëtisë ndaj bllokut paszgjedhor V-LAN dhe elektoratit të LDK-së në veqanti, Isa Mustafa fillon invazionin e gjërë të punësimit të njerëzve të vet, militantëve partiak dhe argatëve të 3 % -it nga Diaspora,…duke i shpërblyer kështu me punësimin e familjarëve të tyre, anipse argatët e tij dhe vet ai, përveq shfrytëzimit të djersës së mërgimtarëve, asnjëri nga ta nuk e ka derdhur asnjë cent në fondin e 3 %-it.
Specifikë e argatëve të Isa Mustafës në Diasporë është fakti, se para lidhjes së kurorës qeverisëse me PDK-në e Thaçit “hajshi çelik” me dhemb nën slloganin mashtrues; “kurr koalicion me PDK-në”, duke sharë e fyer strukturat e PDK-së, e në veqanti ish liderin e saj Hashim Thaçi.
Menjëherë pas rehatimit të djemëve të tyre nëpër institucione shtetërore dhe qeveri nga ana e Mustafës me ndihmën e strukturave të SHIK-ut famëkeq dhe grupit mafioz “Pronto”, i ndryshuan fjalët, i harruan të gjitha premtimet, filluan së ngrënuri “qershiat e lagura”, duke i thurur edhe himne koaliconit qeverisës PDK-LDK.
Tani Isa Mustafa me sejmenët (argatët) e tij heshtin, nuk e flasin më asnjë fjalë të vetme për të bëmat e SHIK-ut, ndërsa gjithë ata që ngrisin zërin kundër kësaj qeversje të keqe, i luftojnë në mënyra të ndryshme përmes medotave komuniste, duke i etiketuar si “përçarës politik dhe armiq të brendshem partiak e deri në armiq të kombit shqiptar”!
Mjerimi i presidentit Thaçi
Heshtja ndaj pergjimeve të grupit “Pronto” dhe thirrja publike e presidentit Hashim Thaçi drejtuar qytetarëve të vendit, për mbështetjen ndaj “detyrimeve” që ka pranuar nga bashkësia ndërkombëtare për Asociacionin e komunave serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, si kushtëzime fillestare për liberalizimin e vizave, formimin e FAK-ut dhe proceset tjera integruese,…e vërtetonë katërçipërisht vasalitetin dhe mjerimin e presidentit të shtetit, të dorëzuar para presionit ndërkombëtar dhe kapitullimin para invazionit politik të fqinjëve tanë.
Fjalimi i Hashim Thaçit dhe përuljet e fundit para varrezave serbe në Grackë dhe Gorazhdec, në memorialin e të cilave, në gjuhën serbe shkruan; “Žertve shiptarskog terrora” (Viktimat e terrorit shqiptar), me ç’rast i bën përgjegjës shqiptarët për dyja rastet e pandriçuara akoma.
Me këto veprime të papërgjegjshme dhe qyqare Hashim Thaçi për më tepër i gjason një presidenti të zënë rob nën prangat e korrupsionit dhe shantazhit politik se sa një presidenti të shtetit më etnik dhe sovran (mbi 92% të popullatës shqiptare) në Ballkan.
Deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ditën kur duhet të votoni për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, duhet ta dini që jeni para një përgjegjësie historike, andaj ju të zgjedhurit e popullit me mosratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, përveqse e mbroni shtetin nga tkurrja territoriale, i çlironi presidentin dhe kryeministrin nga pengmbajtja ndërkombëtare,…për t’i hapur kështu rrugë sistemit të drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare që të mirret me fatin e tyre,  luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të vazhduar me grupin mafioz “Pronto” dhe nëntokat tjera politike dhe parapolitike në Kosovë.

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës gjuhet me qese me ujë

Ata me brohoritjet “Poshtë Qeveria”, “Adem të duam në burg”, “Dorëheqja nuk mjafton”… kërkonin largimi e të gjithë siç thonin, të korruptuarve nga institucionet e vendit

PRISHTINË – Disa dhjetëra qytetarë të Prishtinës në organizim të shoqërisë civile pasditen e sotme vazhduan protestat për të pestën herë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, protesta të cilat filluan dy javë më parë.

Fillimisht numri i protestuesve ishte i vogël, ndërsa si herave tjera, ashtu edhe në marshin e sotëm protestuesit vazhdimisht kërkonin që t’u bashkohen qytetarët tjerë. Protestuesit, numri i të cilëve në ndërkohë rritej, vazhduan drejt drejt sheshit “Skënderbe” në afërsi të ndërtesës së Qeverisë.

Ata me brohoritjet “Poshtë Qeveria”, “Adem të duam në burg”, “Dorëheqja nuk mjafton”… kërkonin largimin e të gjithë siç thonin, të korruptuarve nga institucionet e vendit. Disa nga protestuesit kanë hedhur ujë me qese tek ndërtesa e Qeverisë, ndërsa disa policë të pranishëm nuk reaguan.

Gjatë protestës dëgjoheshin bisedat telefonike të cilat pretendohet se janë kryer mes krerëve të PDK-së, që kanë funksione të larta në institucionet e vendit. Në këto pretendime protagonist është shefi i grupit parlamentarë të PDK-së, Adem Grabovci. Ndërkohë Adem Grabovci, para disa ditësh kishte dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Osmani: Mustafa largoi emrin tim e të Bulliqit nga lista e të ftuarve në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”(Dokument)

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se ajo dhe bashkëpartiaku i saj, njëherësh njëri ndër kundërshtuesit më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, janë larguar nga lista e të ftuarve në ceremoninë e përurimit të rrugës “Beau Biden”, djalit të ndjerë të zëvendës presidentit amerikan.

Osmani thotë se është kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ai që ka larguar emrat e dy deputetëve nga lista e të ftuarve, dhe nuk ishte Ambasada Amerikane ajo që ka bërë këtë veprim.

Për të dëshmuar këtë, Osmani ka publikuar në Facebook edhe ftesën e kryeministrit Mustafa, dërguar pjesëmarrësve në inaugurim.

“Kjo ftesë, dërguar një deputeti të LDK-së, dëshmon se ftesat për ceremoninë e inaugurimit të rrugës janë dërguar nga ana e Kryeministrit, e jo nga Ambasada Amerikane. Pra, emrin tim dhe te kolegut tim z.Bulliqi e ka larguar Qeveria, e jo Ambasada Amerikane”, ka shkruar Osmani.

Reagimi i Osmanit vjen pas raportimeve se emri i kësaj të fundit dhe Shpejtim Bulliqit janë larguar qëllimshëm nga lista e të ftuarve nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Globoder: TIKA nuk ka hequr fotografinë e Skënderbeut

Me qëllim jo të keq në klasat ku ka përfunduar rikonstruktimi është vendosur orë që mban emblemën e agjencisë TIKA, e cila ishte mungesë e klasave, por jo në vend të fotografisë së Skënderbeut

PRISHTINË – Zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, Agnesa Globoder, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shpjegoi se pretendimet që në shkollën e tyre janë hequr fotografitë e Skënderbeut dhe janë vendosur flamujt turk, nuk janë të vërteta. Ajo bëri të ditur se Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka rikonstruktuar 9 klasa në këtë shkollë, e cila është një shkollë e vjetër dhe se klasat pas rikonstruktimit duken shumë më bukur.

“Shkolla është duke u lyer dhe duke u pastruar ende, tani kanë filluar përgatitjet për vitin e ri shkollor. Kur të përfundojnë këto punime të gjithë fotografitë, përfshirë edhe ajo e Skënderbeut do të kthehen në vendet e tyre. TIKA ka rikonstruktuar pesë klasa në gjuhën shqipe dhe katër në gjuhën turke. Ndryshe, fotografia e Skënderbeut nuk ka qenë e vendosur nëpër klasa por në sallën e arsimtarëve”, u shpreh Globoder.

Globoder në vijim theksoi se pas gjithë këtyre punëve dhe angazhimeve, nuk duhej të përhapeshin thënie të tilla. Siç tha ajo, me qëllim jo të keq në klasat ku ka përfunduar rikonstruktimi është vendosur orë që mban emblemën e agjencisë TIKA, e cila ishte mungesë e klasave, por jo në vend të fotografisë së Skënderbeut.

Sa i përket heqjes së fotografisë së Skënderbeut siç thuhet në disa media vendase, Globoder u shpreh se gjatë gjithë renovimeve apo pastrimeve që bëhen, objektet që ndodhen nëpër mure hiqen. Ajo shtoi se kjo është një gjë normale e që nuk ka të bëjë me agjencinë në fjalë, dhe se nuk ka ndonjë zhvendosje që në vend të fotografisë së Skënderbeut do të vendosej flamuri turk.

Zëvendësdrejtoresha e shkollës fillore “Elena Gjika” bëri të ditur se secila organizatë apo kompani që ka bërë punime rikonstruktimi apo ka kontribuar për objektin shkollor kanë vendosur emblemat e tyre.

Asociacioni kushtëzohet me zhbërjen e strukturave paralele

Ilustrim

Autoritetet në Kosovë thonë se hapat drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe do t’i ndërmarrin kur Beogradi zyrtar të ketë zhbërë strukturat paralele në veriun e Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë të themelohet Asociacioni, derisa ka qeverisje lokale paralele në disa pjesë të Kosovës, të cilat mbështeten nga qeveria në Beograd.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Valon Murtezaj thotë se nuk ka filluar ende hartimi i statutit të Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Sipas tij, fillimi i themelimit të asociacionit varet nga dinamika e shpërbërjes së strukturave paralele serbe të ngritura nga Beogradi.

“Qeveria e Kosovës është e vendosur të zbatojë marrëveshjet për të cilat është dakorduar në Bruksel. Një prej tyre është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kosova mund të them se e ka kryer punën e saj, por problemet kanë qenë në anën e Qeverisë së Serbisë.”

“Çfarëdo hapi i mëtejshëm drejt themelimit të asociacionit apo hartimit të statutit dhe çështjeve që lidhen më këtë, varen nga dinamika dhe qasja e shpërbërjes së strukturave paraleleve të cilat ekzistojnë”, thekson Murtezaj.

Çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe ishte një prej temave që nënpresidenti amerikan, Joe Biden, ka diskutuar me lidershipin politik në Kosovë.

Biden, gjatë vizitës së tij në Kosovë kishte porosi të qarta për lidershipin politik të Kosovës, sidomos institucionet vendimmarrëse, duke u kërkuar atyre që të përmbyllin çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka siguruar nënpresidentin amerikan Biden se do të do t’i kryejnë obligimet dhe përgjegjësitë që i takojnë shtetit të Kosovës.

“Pa kalimin e demarkacionit, pra vijës kufitare me Malin e Zi dhe pa formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, Kosova do të mbetet e vetmuar dhe e izoluar nga bota dhe e lënë anash nga SHBA dhe Brukseli.”

“Ne nuk mund të kërkojmë ndihmë dhe përkrahje nga askush kur nuk i kryejmë detyrat tona. Prandaj, jam i bindur nënpresident Biden me shpresë dhe besim të plotë se ne do t’i kryejmë obligimet dhe përgjegjësit tona”, kishte deklaruar Thaçi.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është paraparë të themelohet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, dhe më pas u rrumbullakua me një marrëveshje për parimet e themelimit, të nënshkruar në fund të muajit gusht të vitit 2015.

Nënshkrimi i marrëveshjes në Bruksel për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pati nxitur kundërshtimet e partive politike opozitare në Kosovë, që pamundësuan edhe mbajtjen e seancave të Kuvendit.

Kundërshtimi opozitar çoi Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, përmes një kërkesë të ish-presidentes Atifete Jahjaga. Kjo Gjykatë doli me interpretimin se një pjesë e parimeve të marrëveshjes së vitit 2015 ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Megjithatë, ky interpretim i Kushtetueses, sipas krerëve të institucioneve të Kosovës nuk e pamundëson themelimin e Asociacionit.

Nisur nga kjo situatë e krijuar, analistët e çështjeve politike në Kosovë thonë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të ndodh gjithsesi, pasi që është një obligim ndërkombëtar, që Kosova e ka marrë si të tillë.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kontekstin politik themelimi i asociacionit mund të parqet pengesë, derisa në aspektin praktik është një vendim i qartë.

“Në kontekstin praktik kjo çështje tashmë është shumë më e lehtë për t’u realizuar, pasi që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por në kontekstin politik kjo pak e ka rënduar situatën, pasi që nuk jam e sigurt nëse Serbia do ta pranonte asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazën e asaj që ka rekomanduar Gjykata Kushtetuese”, thekson Selmanaj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, kohë më parë kishin akuzuar delegacionin e Kosovës dhe kryeministrin, Isa Mustafa, se po zvarrisin zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, siç thonë, duke vënë kushte të reja.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, në reagimin e tij ndaj kushtëzimeve të kryeministrit Isa Mustafa për themelimin e Asociacionit ka deklaruar se Brukseli duhet të bëjë presion mbi Prishtinën për zbatimin e marrëveshjeve. (REL)


Send this to a friend