VOAL

VOAL

Bisedat e përgjuara – jep dorëheqje Adem Grabovci

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, dha dorëheqje nga ky post, pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.

Gazeta në internet, Insajderi.com, publikoi një pjesë të përgjimeve të bisedave të zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike në të cilat, sipas gazetës, shfaqet ndikimi i ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike të nxjerra me vendim gjykate gjatë muajve të fundvitit 2011. Në dhjetor të vitit 2012 qenë publikuar disa syresh në të cilat përfshiheshin çështje të ndryshme të veprimtarisë qeveritare e partiake.

Përgjimet kishin të bënin me rastin e ish Ministrisë së Transportit, ku subjekt i përgjimeve, me autorizimin e prokurorit të EULEX-it, ishte edhe Adem Grabovci.

Në një komunikatë për opinion, zoti Grabovci njoftoi të martën se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ditëve të fundit janë publikuar biseda në medie të cilat kanë pasur për objekt emrin dhe autoritetin tim politik e njerëzor. Me siguri këto kanë krijuar një ambient jo të këndshëm për opinionin publik, institucionet e vendit, PDK-në, por edhe për mua dhe familjen time. Me qëllim të reagimit tim moral dhe politik ndaj një çështje të tillë dhe hapjes së mundësisë së trajtimit adekuat ligjor të këtij rasti, i cili ka prekur edhe privatësinë, por edhe autoritetin e subjektit politik dhe timin personal, ofroj dorëheqje nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së“, thuhet mes tjerash në komunikatën e zotit Grabovci.

Publikimi i bisedave bëri që kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi të krijojë një ekip të prokurorëve nga zyra e tij dhe Prokuroria e Posaçme e Kosovës, që do të verifikojë dhe analizojë përmbajtjen e bisedave të përgjuara.

Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i fillojë hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer“, thuhej në njoftimin e zotit Lumezi.

Publikimi i përgjimeve nxiti shumë reagime në Kosovë. Diplomatë perëndimorë përfshirë edhe ambasadorin amerikan Greg Delawie, kërkuan analizë të plotë e transparente. “Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkroi ai në rrjetin social tëitter, pas publikimit të bisedave të përgjuara.

Partitë opozitare bënë thirrje që hetimet të cohën deri në fund, ndërsa grupe organizatash joqeveritare për disa ditë me radhe kanë protestuar duke kërkuar drejtësi dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Biden do të pritet në aeroport nga Thaçi dhe Dumoshi

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, mbrëma arrin në Kosovë.

Ndërsa, nesër ai do të ketë takim me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin Isa Mustafa.

Ndërkaq, Biden në aeroportin e Prishtinës do ta presë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe shefja e kabinetit të Kryeministrit Mustafa, Vlora Dumoshi.

Këtë e ka konfirmuar këshilltari i kryeministrit Faton Abdullahu, i cili ka thënë për “zeri.info” se zv.presidenti amerikan Biden do të pritet nga presidenti Thaçi.

“Joe Biden do të pritet nga shefja e kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, Vlora Dumoshi, dhe me sa kam informacion edhe presidenti Hashim Thaçi do ta presë atë”, ka thënë Abdullahu

Policia e Kosovës: Kemi marrë masat për sigurinë gjatë vizitës së Biden

“Përveç angazhimeve të tjera në aspektin e rendit dhe sigurisë, masa respektive janë ndërmarrë edhe për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor”

PRISHTINË- Me rastin e vizitës së zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden në Kosovë, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Në një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se në bashkëpunim me institucionet relevante dhe me strukturat e sigurisë së SHBA-së, janë përgjegjëse për sigurinë e zëvendëspresidentit Biden, duke ndërmarrë masa për ngritjen e nivelit të sigurisë gjatë realizimit të kësaj vizite në Republikën e Kosovës.

“Përveç angazhimeve të tjera në aspektin e rendit dhe sigurisë, masa respektive janë ndërmarrë edhe për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut rrugor, ku në intervale të caktuara kohore në lokacione specifike sipas planit është paraparë edhe ndalimi i përkohshëm për qarkullim të disa rrugëve, si dhe përdorimi i rrugëve të tjera alternative në mënyrë që të garantohet lëvizja apo qarkullimi pa pengesë”, thuhet në njoftim nga Policia e Kosovës.

Hidhet një bombë dore në afërsi të urës mbi lumin Ibër

Ura mbi Lumin Ibër

Një mjet shpërthyes është hedhur, pak para mesnatës së të hënës (rreth orës 23.45), në afërsi të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, nga persona tash për tash të panjohur, kanë bërë të ditur zyrtarë të policisë për Radion Evropa e Lira.

Ekipi hetues i Policisë së Kosovës dhe njësia e specializuar e EULEX-it kanë dalë në vendin e ngjarjes, i tha Radios Evropa e Lirë shefi i operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq.

Ai tha se mjeti shpërthyes është hedhur në afërsi të urës në pjesën veriore të qytetit nga ana e majtë e saj.

Ekipet hetuese të policisë kanë vërtetuar se bëhet fjalë për një bombë dore M-75.

“ Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i qarkut I cili e ka karakterizuar rastin si veprë penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Nuk ka të lënduar dhe as dëme material”, tha Bojiq.

Bomba u hodh një ditë pas heqjes së Parkut të Paqes mbi lumin Ibër dhe fillimit të punëve për revitalizimin e saj, sipas një marrëveshjeje të arritur nga palët dialoguese në Bruksel. (REL)

MUNGESA E DEBATIT KA RRËNUAR LDK-në – Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Me nismën e veprimtarëve dr. Shaqir Shala dhe Hajdar Rexhahmetaj, isniqas të zellshëm dhe të zëshëm, u organizua takimi për hapjen e debatit demokratik, brenda radhëve të LDK-së. Dr. Shala, pasi përshënbdeti të pranishmit, foli për qëllimin emancipues dhe fisnik të këtij takimi, të parit të kësaj natyre. Ai tha se për të marrë pjesë në këtë debat, është ftuar edhe kryetari Isa Mustafa dhe kushdo tjetër nga strukturat drejtuese partiake dhe veprimtarë nga LDK-ja. 

 
     E para që u ftua të marrë fjalën ishte Donikë Gërvalla. “Ndjehem e emocionuar që flas nga salla e Asamblesë komunale të Deçanit. Ne kemi debatuar në kushte pushtimi, kemi kritikuar, por, jo sharë, edhe kryetarin Rugova, sepse debati shërbente për thellimin e demokracisë, të munguar në sistemin monist. Jemi këtu për të bashkëbiseduar hapur. LDK-ja, duke qenë në një koalicion të panatyrshëm, është vënë para sfidave dhe vendimeve të vështira. Ishte Nëndega e Dobërçanit të Gjilanit, e para, që u bëri thirrje deputetëve të vet, “të mos e votonin Hashim Thaçin president në emrin tonë dhe, nëse e votoni, mos kërkoni më votën tonë”. 
 
     Kur brenda strukturës tënde nuk bën debat, e ke të vështirë të debatosh me kundërshtarët. Pa qëllim të lokalizmit krahinor, Rrafshi i Dukagjinit e ka traditë debatin, fjalën e hapur, pa fyerje e hatërmbetje. Organizatorët kanë ftuar edhe kryetarin Isa Mustafa dhe në respekt të elektoratit, do të ishte normale të ishte dikush nga strukturat e partisë”, – tha në fjalën e saj të shkurtër kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla.
 
     Në emër të Shoqatës të historianëve të komunës të Deçanit, foli Selim Loshaj. Duke përshëndetur organizatorët dhe të pranishmit, ai vlerësoi takimin dhe qëllimin e mirë të këtij bashkëbisedimi. Ai kritikoi të gjithë ata që më fjalë fshihen prapa emrit të Ibrahim Rugovës, por, në fakt, veprojnë ndryshe. 
 
     Naser Arifi, kryetar i Nëndegës të Dobërçanit, ishte më i zëshmi në kritika për udhëheqjen e LDK-së, për votën e bashkuar me PDK-në, si parti mafioze, me afera korruptive, nepotike me “Pronto-n” e saj dhe kriminale. Është pamundësuar dhe mohuar debati, fjala e lirë në strukturat e partisë, prandaj, me të drejtë, debati ka dalë në rrugë dhe media. Nuk e kemi hallin, thjesht, ke fitorja e LDK-së, por, problemi është tek fati i Kosovës, sepse nga subjektet politike aktuale, vetëm LDK-ja di të bëjë dhe të mbajë shtet.
 
     Agim Nikçi, kryetar i Nëndegës  të LDK-së të Rrokaqiellit në Pejë, veç tjerash, tha se kryetarit të Degës nuk i intereson fare bashkëpunimi me Nëndegët, përkatësisht, anëtarësinë. Doza e pakënaqësisë është shtuar nëpër shumë Nëndegë, por duke qenë të shpërfillur nga strukturat e partisë, heshtin dhe presin, të pashpresë, ringritjen e LDK-së. Ngulfatja pengon shtimin e radhëve dhe ecjen para të LDK-së.
 
     Nezir Jahmurati, i Nëndegës të LDK-së në Lubeniq, tha se LDK-ja ka anashkaluar vizionin e Presidenbtit Rugova. Ne kemi vepruar me sukses  edhe në katrahurën e pushtimit të egër. Bashkëpunimi në mes anëtarësisë dhe strukturave të partisë ka qenë i sinqertë. Ndërkohë, tani, bërrylimi është në modë. Penetrimi në strukturat e partisë pa stazhin e nëvojshëm partiak i disa kuadrove, me veprimet e tyre të dyshimta, po e dëmtojnë seriozisht imazhin e partisë. 
 
     Me keqardhje konstatojmë, se ashtu si kudo në komunat e Kosovës, edhe në Pejë janë anashkaluar aktivistët idealistë, duke u zëvendësuar me kuadro puthadorë, që nuk kanë guximin të reagojnë ndaj vendimeve fatale për Kosovën. Qendra nuk ka komunikimin e duhur me bazën partiake. Lubeniqi numëron 72 viktima të luftës, megjithatë shefat e LDK-së kanë qenë indiferentë dhe nuk i kemi parë në rastet përkujtimore.
 
     Nëndega jonë e ka përjetuar rëndë sjellljen sa të padrejtë, aq edhe brutale të shefave të LDK-së, për përjashtimin nga Kuvendi i 8-të zgjedhor të delegatëve të Degëve të Gjermanisë dhe të Zvicrës, – përfundoi fjalën e tij Jahmurati.
 
     Blerim Bajraktari, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së në Isniq, ndër të tjera, tha se i takoi një grupi të ri, që mendon me përkushtim për LDK-në dhe Kosovën. Për 20 vjet në politikë, personalisht, nuk kam marrë asgjë, edhepse kam dhënë gjithçka. Qëllimi ynë është të zgjojmë vetëdijën e anëtarësisë, që subjekti ynë politik – LDK-ja, duke ndjekur rrugën rugoviane, të ngrihet në nivelin që i takon, për ta zhvilluar demokracinë brenda partisë, duke ndikuar edhe mëtej në Kosovë. Mendoj se mendimin ndryshe duhet shprehur brenda strukturave të partisë dhe jo në publik dhe media, – tha zotëri Bajraktari.
 
     Dr. Ramadan Tahiraj, i Nëndegës të Strellcit, duke iu referuar  sentencës popullore: “U ngi Kadrija me dajre”, shprehu zhgënjimin e madh të anëtarësisë dhe të elektoratit rugovian nën udhëheqjen aktuale të LDK-së. Është thyer dhe fyer keqas sedra e anëtarësisë. Është përdhosur ëndrra e madhe e demokracisë partiake. Klani brenda LDK-së e ka tepëruar me shpërfilljen ndaj anëtarësisë dhe kuadrove e veprimtarëve të dëshmuar e besnikë në frymën dhe parimet e kryetarit Ibrahim Rugova.
 
     Brenda torishtës, vathës kanë mbetur vetëm militantët e LDK-së. Në vend që t`i afrojmë dhe aktivizojmë sërishmi  edhe ata që zhgënjimi i pasivizoi, dikush është i interesuar, me provokimet e batakçillëqet në vijimësi, t`i nxjerrë nga torishta edhe ata, idealistët e ngujuar rugovistë. SHIK-un e kemi brenda, po rrezikojmë edhe sigurimin e kuotës limituese, per të qenë parti parlamentare.
 
     Dr. Milazim Zeqiraj, ish-delegat i LDK-së në vitet 90-a, tani aktivist në Mërgatë, foli për epokën e artë, kur LDK-së i printe gjeniu Rugovë. Parimi dhe përgjegjësia, kanë qenë elementet bazë të demokracisë. Debati nuk ka qenë pronë e vetëm ditës javore – të premtës, në shtëpizën e krijuesëve të Kosovës, në Prishtinë, por është debatuar në çdo aktiv, nëndegë dhe degë të Kosovës dhe të Diasporës shqiptare. Inisjativa për kthimin e demokracisë të brendshme partiake, nuk drejtohet kundër askujt, madje as kundër Isa Mustafës me shokë, sepse rugovizmin askush nuk e mohon. Apeli ynë është që me zhvillimin e debatit demokratik, ta ringrisim LDK-në, duke i përfituar dhe aktivizuar të pasivizuarit, si pjesë integrale të partisë të Dr. Rugovës.
 
     Demë Çettaj, veprimtar i Mërgatës, deri në Kryesinë e Degës të LDK-së në Gjermani, tani i pensionuar, por, jo i pasivizuar në parti, pos tjerash, tha se 20 vjet kam punuar pa hile dhe pa kompensim për këtë parti. Nuk jam kursyer as me kohë dhe as me xhep, për ta ndihmuar Kosovën. Edhepse larg, me mendje dhe zemër kemi qenë në Kosovë. Krenohemi që edhe Mërgata iu përgjigj thirrjes të Rugovës dhe të Atdheut, materiaslisht dhe fizikisht, në luftën për çlirim dhe liri. Atë që ne e bëmë dje, nuk po e bëjnë sot për shtetin e Kosovës disa që koxha fort e rrahin gjoksin.
 
     Hajdar Rexhahmetaj, bashkorganizator i këtij debati demokratik, anëtar i Kryesisë të Nëndegës në Isniq, tha se jemi të pakënaqur për rrjedhat politike dhe ekonomike në Kosovën e sotme. Duke humbur individin,  po e humbasim edhe shoqërinë. Koherenca, durimi, fjala, vota është besë, orientimi përendimor është vlerë. Largimi nga norma bazë e demokracisë, siç është votimi i fshehtë, ka degraduar fort LDK-në, duke e njëjtësuar me partitë e ekstremit të majtë të Kosovës. Dhe, e gjithë kjo është bërë qëllimshëm, për ta ruajtur monopolin personal politik mbi partinë. Thjesht, duke iu frikësuar përballjes, votës denokratike, kanë zgjedhur metodën moniste, komuniste, – tha në fund të fjalës së tij zotëri Hajdar Rexhahmetaj.
 
     Hasan Jasiqi, përfaqësues i fshatit Jasiq, tha se politika m`u ka imponuar dhe unë kam ndihmuar, për aq sa kam ditur dhe sa kam mundur. Për këtë krenohem dhe jam gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar në proceset demokratike në Kosovën tonë.
 
     Isuf Çettaj, luftëtar rinor i Kosharës, tani, anëtar i Kryesisë të Nëndegës të LDK-së në Bavari dhe anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani, në fjalën e tij u mundua ta nxjerrë debatin nga pesimizmi, duke dhënë tone optimiste. Nuk kemi nevojë pë vajtim e pesimizëm. Ai përmendi me emra kryetarët e komunave, ku LDK-ja ka fituar zgjedhjet, duke denoncuar haraçin e pushtetarëve të partive tjera. Ne jemi ata që vendosim me votën tonë se ke do të zgjedhim. Të mos e tepërojmë me kritika. Demokracia ka vend për të gjithë, tha, ndër të tjera kuadri i LDK-së të Mërgatës, Isuf Çettaj.
 
     Zeqir Shala, profesor i matematikës në Zvicër, në fjalën e tij, iu referuar filozofisë. Ai tha se Galileu është themelues i idesë shkencore, ndërsa Gagileu i popullit shqiptar është Ibrahim Rugova. Atë që e bëri Rugova, për LDK-në dhe Kosovën, po e zhbëjnë sot shefat e partisë dhe shtetarët e pushtetarët e Kosovës. Asgjë nuk është rastësi. SHIK-u i kudondodhur vepron, realizon planet e tij të errëta. 
 
     Ne po i marrim me të mirë, që të kujton apoteozën e misrit. Politikë bëhet kur baza reagon. Disa partinë e shohin si trampolinë, për t`u hedhur në karrierë. Ata që udhëheqin keq, nuk duhet toleruar gjatë.  Zvicra ka një ligj: Qenin, i cili han një herë, e vënë në gjumë për jetë, sepse mund të përsëritë kafshimin. Nëse njerëzit nuk reagojnë ndaj së keqes, pushtetarët mendojnë se e kanë mirë dhe vazhdojnë me prapësitë e tyre, – tha, në fund, zotëri Zeqir Shala.
 
     Demë Hasanramaj, jam nga aktivistët e parë të LDK-së, dikur mjaft i suksesshëm. Por, tani, kam dështuar tërësisht, sepse lufta për karrike brenda llojit, degradoi partinë me nam të Ibrahim Rugovës. Familjet e mëdha, familjet nacionaliste e fisnike, tek të cilat mbështetej fort Presidenti Rugova, tashmë, luftohen jo vetëm nga e majta armike e deklaruar, por edhe nga e djathta e çoroditur. Virusi i së keqes e bren çdo ditë e më shumë LDK-në tonë. 
 
     Nazim Huruglica, nga  Kryesia e Nëndegës të Dobërçanit, ishte më i drejtëpërdrejtë nga të gjithë parafolësit. Ne jemi këtu me qëllimin e mirë për ta forcuar LDK-në. Edhepse shefat tonë e dinë këtë, ata dizinformojnë, qëllimshëm, anëtarësinë dhe opinionin. Ne denoncojmë rrethin vicioz brenda Kryesisë Qendrore, për përjashtimet dhe linçimet e veprimtarëve të devotshëm të LDK-së. Ne jemi kundër ngulfatjes të partisë dhe duam frymëmarrje demokratike, për ta bërë LDK-në partinë e parë, si në epokën e Ibrahim Rugovës. 
 
     Si vrasësi, si përkrahësi, të dy janë pjesë e krimit. LDK-ja nuk arriti ta përballojë presionin brenda koalicionit me PDK-në, andaj u dorëzua pa kushte. Megjithatë, ngritja e LDK-së është kërkesë, jo vetëm e anëtarësisë të saj, por edhe e popullit të Kosovës, sepse vetëm ajo është “parti e besës dhe e shpresës”, – siç shprehej  Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
 
      Së fundi, foli, sërishmi, Donikë Gërvalla. E shoh se ka shumë për të biseduar. Dikush me fjalë katundi dhe dikush me fjalor Universiteti. Nuk mjafton që hallet të qahen vetëm familje. Këndvështrimi i gjërave ndryshon nga ju, vendorët, me ne mërgimtarët. Jam kthyer në Kosovë pas 19 vjetësh mërgimi. Ka përenduar koha e frikës dhe e terrorit.
 
     Ne jemi parti-shtetformuese. Pa LDK-në nuk ka as demokraci. Politikani në Gjermani,  ku unë punoj dhe jetoj, është i përgjegjshëm, është në shenjestër të kritikave. Ai është i detyruar të japë llogari partisë që i takon dhe popullit. Kush e nxjerr vetën në publik, nuk ka të drejtë të kërkojë nga qytetari të plotësojë nevojat personale të tij. 
 
     Në Kosovë kurrë nuk ka pasur demokraci, prandaj mungon tradita demokratike, por, jo edhe edukata demokratike. Debatet, reformat bëhen para sfidave, para zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet të na gjejnë të bashkuar, prandaj edhe debatojmë tani. Unë do të jem këtu në fushatën parazgjedhore, pavarësisht se kush do të jetë në krye të LDK-së.
 
     Kritika ndaj vendimeve të dëmshme dhe jo parimore, duhet të jetë e hapur. Anëtarësia, populli duhet të informohen drejtë. Nëse LDK-ja humb fokusin, reagimi kundërshtues duhet të jetë i hapur, për ta nxjerrë nga ngulfatja, nga bataku.
 
     Ne, mërgimtarët, jemi pjesë e Kosovës. Mos keni frikë nga ne, nuk ua marrim punën. Shqiptarët punojnë me ndershmëri kudo në botë. Ne bisedojmë hapur e pafrikë, sepse shohim si jetojnë popujt e lirë, në demokraci. Takimet e tilla të bëhen shprehi. Secili të gjykojë drejtë. Duhet lejuar debati në strukturë, përndryshe del në rrugë, në media, në publik. Debati, fjala e hapur është parim i demokracisë. Në të kundërtën, diktatura kërkon hapësirë, – përmbylli fjalën e saj përmbajtësore dhe konstruktive, kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla.
 
     Deklarimi publik i Donikë Gërvallës se nëse deputetët e LDK-së e votojnë Demarkacionin pa transparencën e duhur, unë largohem nga LDK-ja, sepse nuk shkel mbi gjakun e gjyshit me vëllazëri, të cilët janë flijuar pikërisht për atë tokë, që tani humbet në paqe. Nuk dua ta mbaj damkën dhe turpin e tradhtisë.
 
     Vërtet, anëtarësia e LDK-së është palë me Donikë Gërvallën në kundërshti të vijës kufitare aktuale me Malin e Zi, por nuk aprovon largimin e saj nga LDK-ja për këtë rast, sepse nuk është pjesë e strukturës vendimmarrëse të LDK-së, rrjedhimisht, nuk ka bërë listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkohë, pjesë e përgjegjësisë morale është edhe anëtarësia e LDK-së. Anëtarësia, miq, bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorët apelojnë, madje zëshëm, që Donikë Gërvalla me shokë, ta vazhdojë betejën e nisur për reformimin e LDK-së, duke ngulmuar që të mos bëhen lëshimme të tjera në favor të Serbisë.
 
     Nënshkrimi i peticionit kundër Demarkacionit aktual dhe kundërshtia e Donikë Gërvallës në vijimësi, janë të mjaftueshme që apo të mos jetë e turpëruar, as sot dhe as mot, për gabimet dhe fajet që bëjnë shefat aktual.
 
     Arsyen pse nuk duhet ta braktisin LDK-në, Donikë Gërvalla dhe veprimtarët tjerë të dëshmuar të LDK-së, të anashkaluar dhe të anatemuar nga krerët e partisë, po e ilustrojmë me shembullin që tregoi në këtë debat veterani Demë Çettaj: “Ka pasur raste kur jam provokuar nga të tjerët dhe kam lëshuar mbledhjen duke thënë se nuk jam ma në LDK-e! 
 
      Por, e shihja se disa po i gëzoheshin largimi tim. Kur gëzohen disa nga partia ime, po sa gëzohen kundërshtarët jashtë partisë time?! Dhe, pendohesha për vendimin e nxituar, kthehesha në mbledhje dhe u thoja se kështu doni ju këtu dhe armiqtë tjerë të LDK-së. Por, unë do të jem këtu për inatin tuaj dhe të kundërshtarëve të LDK-së. Dhe, ky shembull tejet adekuat edhe për rastin e Donikë Gërvallës, u pëlqye dhe u duartrokit nga të pranishmit.

O’Connell: Nepotizmi po e dëmton Kosovën

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’ Connell, ka thënë se nepotizmi, sikurse edhe fenomenet tjera negative, po e dëmtojnë Kosovën. Këto komente, ai i ka bërë në lidhje me bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci më zyrtarë të lartë të partisë të cilësuara tashmë në media si afera, “Pronto II”.

Kosova ka thënë ai “duhet t’i thyej praktikat dhe kulturën e nepotizmit”. Sipas tij, nëse në Kosovë vazhdon kultura e nepotizmit, kjo do të paraqiste dështim për vendin.

“I kam dëgjuar përgjimet, por e kemi ditur qysh moti që niveli i nepotizmit është në Kosovë. Kjo është përmendur çdo vit në raportet e progresit të Bashkimit Evropian dhe kjo nuk është diçka e re. Por, është diçka që e dëmton Kosovën”, ka theksuar O’Connell, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ndryshe gazeta në internet Insajderi, vazhdimisht është duke publikuar bisedat e përgjuara telefonike të shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci me zyrtarë të lartë të partisë, që sipas gazetës, shfaqin ndikimin e ushtruar nga kjo parti në emërimet në postet qeveritare, në drejtësi, media dhe në polici.

Gazeta pohon se ka mbi njëmijë biseda të përgjuara telefonike, të nxjerra me vendim gjykatës, gjatë fundit të vitit, 2011.

Ja si u arrestua serbi që dëmtoi xhaminë në Velekincë

Dje është dëmtuar objekti i xhamisë në fshatin Velekincë, nga shtetasi i Kosovës i etnicitetit serb, i cili deri më tani nuk dihet se me çfarë motive e ka kryer veprën.

Menjëherë pas sulmit, Policia e Kosovës ka intervenuar në vendin e ngjarjes meqë rast i dyshuari mashkull K/Serbë është arrestuar pasi qe kishte filluar ta rrënoj një pjesë të minares së Xhamisë nga lart-poshtë, bëhet e ditur në raportin e policisë.

Njësitet policore kanë shkuar ne vendin e ngjarjes si dhe zjarrfikësit dhe ndihma e parë.

Rreth një orë është negociuar me te dyshuarin i cili nuk ka përfillur urdhrat e policisë dhe ka vazhduar me rrënimin e minares, derisa ka shkuar Njësiti i reagimit të shpejtë i cili ka arrestuar të dyshuarin i cili me urdhër te prokurorit i njëjti dërgohet ne mbajtje 48 orë. /ZËRI

Barrikada hiqet vetëm në jug të urës së Ibrit, jo edhe në veri

Barrikadat u hoqën në pjesën jugore të urës së Ibrit, por në pjesën veriore vazhdojnë të ruhen nga Policia dhe KFOR-i

Mitrovica. Barrikada në urën kryesore të Ibrit e vendosur nga serbët në korrikun e vitit 2011, pas aksionit të dështuar të njësive speciale të Policisë së Kosovës ROSU për t’i marrë pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjakë, fillimisht me rërë e të përforcuar me beton, e pastaj me vazo me drunj pishe, që serbët e kanë quajtur “Parku i paqes”, është larguar të dielën në orën 10:00 por vetëm në pjesën jugore, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.

Por pjesa tjetër ende ka mbetur në anën veriore. Largimi i barrikadës, për të cilën serbët betoheshin se nuk do ta lejojnë kurrë, ka shënuar fillimin e punëve për rivitalizimin e urës kryesore të Ibrit, sipas marrëveshjes së fundit në mes të Edita Tahirit, ministre për Dialog në Qeverinë e Kosovës, dhe Marko Gjuriqit, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Në këtë mënyrë, ura lirohet pas 16 vjetësh të mbajtur peng nga serbët, të cilët nëpërmes të të ashtuquajturave “Roja të urës” keqtrajtonin shqiptarët që merrnin guxim ta kalonin e urën.

Grabovci-Veselit: Ti i merr vendimet, unë i zbatoj (Audio)

 Kërkesat e Kadri Veselit për Adem Grabovcin ishin urdhra. Shefi i Shefave, Veselin e kishte shef. Kështu e quante dhe sillej para tij. Ai nuk i kundërshtonte ato që i thoshte Veseli. “U bo shef”, ishte përgjigja më e zakonshme. Kishte momente kur puna e Grabovcit nuk i përlqente Veselit. Në këto raste, Grabovci merrte qortime. Insajderi sjellë shtatë biseda telefonike të kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe nënkryetarit, Adem Grabovci.

Edhe Shefi i Shefave kishte Shef. Madje dy. Pos Hashim Thaçit, Adem Grabovci, i rrinte gatitur edhe Kadri Veselit, ani se në kohën kur po kryhej përgjimi, Veseli nuk kishte asnjë funksion publik.

Shërbimin Informativ të Kosovës, kishte deklaruar tri vjet më parë se e kishte shuar, e në PDK nuk ishte anëtarësuar zyrtarisht.

Megjithatë, përgjimet e siguruara nga Insajderi dëshmojnë se Veseli, aktualisht kryetar i partisë më të madhe në vend, dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte shumë aktiv në prapaskenën e jetës politike dhe në vendimmarrje.

“Ti i merr vendimet, unë i zbatoj”, i thoshte Grabovci Veselit.

Në periudhën kohore prej dy muajsh, Grabovci flet shpesh me Veselin në telefon. Mirëpo, Veseli është shumë i kujdesshëm në ato që thotë. Nuk përmend emra, nuk përmend institucione, e as veprime që do të mund t’i faturoheshin si ndërhyrje direkte.

Gjuha e tij është e koduar.

Grabovci i raporton vazhdimisht për zhvillime Veselit, nga vizita në Bruksel, deri tek dështimi në Kuvend për të votuar Ligjin për Prizrenin. E, kur flasin për këtë dështim, Veseli e “kërcënon” dhe qorton Grabovcin se do ta shkarkojë nga pozita e kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

Ata flasin për dy pozita të larta në institucione, por nuk ua përmendin emrat. Vetëm në një rast, Grabovci e përmend një emër – Agronin. Nuk dihet nëse flasin për Agron Mustafën, apo Agron Thaçin, drejtorin e Infrakosit.

Në një rast tjetër, Veseli i thotë Grabovcit se është mirë “me ec ai djali që folëm dje për të”.

“Ta çova ni sms, a din që e lamë e… me bisedu. Dëgjo i lam n’sistem le t‘ec ai djali ma mirë. Ngom mu se ti ki me thanë mirë e ke pas, a e kupton? Ai djali që pijtum kafe dje, a e kupton? Le ta vazhdon, po hajt se… ma mirë o. Ngom mu, muna, me ti jep 10 argumente se o ma mirë”, i thotë Veseli Grabovcit në një bisedë të dhjetorit 2011.

E, Grabovci pa asnjë hezitim ia miraton rekomandimin.

“O qysh ta do shpirti ty…”, i thotë ai.

Veseli thotë se ka menduar për shpirt të tij dhe të Grabovcit se kjo është më mirë.

“Paj vallain ngo çka qysh ta do shpirti… menova për shpirt tem e tanin ma mirë o”, sqaron më tej kryetari i Kuvendit.

“Ti i merr vendimet, unë veç i zbatoj”, përgjigjet Grabovci.

Veseli flet për dike tjetër nga i cili druhet se do t’u dhemb kryet të dyve dhe do t’i lodhë.

“Jo jo, a din pse, ti meno, po dëgjo kryet ka me të dhimtë ty edhe mu pej qati edhe veç na lodh, e kem gajle edhe thjesht ma mirë let ec ai…, e shkurt”, vazhdon Veseli.

“A? A po thu? A je edhe ti pro? Se duhesh edhe ti pak me kanë”, e pyet më tej Veseli, Grabovcin.

“O u bo, po vallain hiç s’ta prishi”, përgjigjet shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së. Shefi i tij, Veseli insiston se “ai djali është kuadër i mirë”.

“Hej po dëgjo, ma mirë, ngom mu, se unë menova bash…, e ma mirë mu dok, ma mirë, kuadër ma i mirë osht, ma i aftë, ma ma asii…, n’fund fundit ka deshtë mu vonu let vanohet, e bajt me shnet”, thotë Veseli duke i treguar Grabovcit për të mirat e kandidatit që duhet punësuar dhe dobësitë e kandidatit tjetër që nuk duhet shtyrë përpara.

Në një bisedë tjetër, dy protagonistët e përgjimit flasin edhe për një debat politik të zhvilluar në RTK. Grabovci tregon se si e kishte “mbytur” opozitën e asaj kohe që ishte LDK dhe Vetëvendosje.

“…, mirë o bre… ken kta tre, t’opozitës”, shton Grabovci.

“Hihihi…, a tan tu bonën a? A pshtove bile, a pshtove”, interesohet Veseli.

“Veç n’fund ja lshova, pak ma kshtu, a din, krejt zhag… Ata niher na sulmojshin kshtu, e unë n’fund e përmbylla. Thash, thash mas pari shprehi keqardhje. Thash mirë, thash zotëri Isufi se je opozitë e fortë, do të thotë e mobilizon mirë opozitën që të jetë shumë aktive, po thash fatkeqësisht pozita është shumë e fortë, ndërsa për mos të thom se nuk kemi opozitë fare…”, thotë Grabovci, duke qeshur.

“… Osht, osht një opozitë e brishtë, pa koncept, pa qëllim…”, vazhdon Grabovci.

“… a muren flakë”, e pyet Veseli.

“A jo tani ajo u mbyll”, përgjigjet Grabovci duke vazhduar t’i tregojë Veselin se cfarë ka thënë në debat.

“Jo po përzihet, jo po përzihet Qeveria, po dikton Parlamentin. I thash bashkëpunimin, nuk guxojmë me qujt interferim, thash ajo me Kushtetutë…”, vazhdon tregimin ai.

“Po ajo, osht me Kushtetutë more loptë e kqija thuj, more loptë e…”, e porosit Veseli.

Dështimi për të votuar Ligjin për Prizrenin dhe Hoqën e madhe e kishte nervozuar Kadri Veselin. Këtë ia thotë me telefon, Adem Grabovcit të cilin e quan të papërgjegjshëm. Por, ky epitet nuk i pëlqen shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së.

“Shumë i papërgjegjshëm bre Adem, qysh bre Adem me t’votu ata, qysh bre se na”, thotë Veseli.

“Hej, hej, mos um trano. Kur ti qojsh njerzit e pa përgjegjshëm normalisht”, përgjigjet Grabovci. “O pasha…, pa t’shkarku si kryetar i Grupit parlamentar se kisha lanë”, thotë Veseli. Kësaj, Grabovci i përgjigjet me qeshje, derisa Veseli vazhdon qortimin.

“Qysh more, a u bonet budallë”, vazhdon Veseli. “A shkit, shkit kanë votu a”, e pyet më teh ai teksa merr konfirmim se deputetët serbë kanë votuar kundër, sipas tij gabimisht.

Biseda e parë

Veseli: O ku je more…?

Grabovci: A je, si je?

Veseli: Qe mirë.

Grabovci: Ishum ni drekë me grupin, e me kryeministrin, e me ministrin e.

Veseli: O zoti ju rujt bre, e ishalla, ishalla… Ka je kshty, ka je?

Grabovci: Qe n’zyrë qitash ni takim.

Veseli: Bravo! Ngo qitash!

Grabovci: Kishe pas ti… m’kishe pa çu sms.

Veseli: Ta çova ni sms, a din që e lamë e… me bisedu. Dëgjo i lam n’sistem le t‘ec ai djali ma mirë. Ngom mu se ti ki me than mirë e ke pas a e kupton? Ai djali që pijtum kafe dje, a e kupton, le ta vazhdon, po hajt se ëë… ma mirë o. Ngom mu, muna, muna, me ti jep 10 argumente se o ma mirë.

Grabovci: O qysh ta do shpirti ty…

Veseli: Paj vallain ngo çka qysh ta do shpirti jo, menova për shpirt tem e tanin ma mirë o. Hehehehe.

Grabovci:Ti i merr vendimet, unë veç i zbatoj.

Veseli: Jo jo, a din pse, ti meno, po dëgjo kryet ka me të dhimtë ty edhe mu pej qati edhe veç na lodh, e kem gajle edhe thjesht ma mirë let ec ai…, e shkurt.

Grabovci: Eeee… u bo.

Veseli: A? A po thu? A je edhe ti pro? Se duhesh edhe ti pak me kon…

Grabovci: O u bo, po vallain hiç s’ta prishi.

Veseli: Hej po dëgjo, ma mirë, ngom mu, se unë menova bash…, e ma mirë mu dok, ma mirë, kuadër ma i mirë osht, ma i aftë, ma ma asii…, n’fund fundit ka deshtë mu vonu let vanohet, e bajt me shnet.

Grabovci: Hehehehe.

Veseli: A? E pra.

Grabovci: Hiç… qysh dush bonja, hiq mos ta nin.

Veseli: Hajde pra, hajde pi thom qashtu, hajde, t’përshëndes, çao çao.

Biseda e dytë

Veseli: Ku je mor patriot?

Grabovci: Tungatjeta.

Veseli: Ku je, çka po bon, a ça ka tre a?

Grabovci: O vallain ton ditën jom kanë qitash…

Veseli: O i zanun njeri, gjithë njeri i zanun je, hahaha…

Grabovci: Qishtu osht tash, qa ki me bo. Qashtu tash.

Veseli: O ta ka jep zoti ty veç…

Grabovci: Hahahaha…

Veseli: Ça ka tre, a jeni lodh, a jeni mërzit a?

Grabovci: Tonat kapak.

Veseli: Çka po boni?

Grabovci: Hiç kurgjo, qitash pata ni debat me kta.

Veseli: Po a, ku?

Grabovci: N’RTK.

Veseli: Qysh kalove, allahile?

Grabovci: S…, mirë o bre… ken kta tre, t’opozitës.

Veseli: Hihihi…, a tan tu bonën a? A pshtove bile, a pshtove?

Grabovci: Po more qysh jo, po more qysh jo.

Veseli: Hehehehe…, ani mos u mërzit ani? A je a tek je a?

Grabovci: Veç n’fund ja lshova, pak ma kshtu, a din, krejt zhag.

Veseli: Pse?

Grabovci: (S’kuptohet) opozitë, ata niher na sulmojshin kshtu, e unë n’fund e përmbylla. Thash, thash mas pari shprehi keqardhje. Thash mirë thash zotëri Isufi se je opozitë e fortë, do të thotë e mobolizion shumë mirë opozitën që të jetë shumë aktive, po thash fatkeqësisht pozita është shumë e fortë, ndërsa për mos të thom se nuk kemi opozitë fare…

Veseli: Huhuhu…

Grabovci: Hahahah… osht, osht një opozitë e brishtë, pa koncept, pa qëllim, hahahah…

Veseli: Hahahah… a muren flakë?

Grabovci: A jo tani ajo u mbyll.

Veseli: Hehehehe…

Grabovci: Jo po përzihet, jo po përzihet Qeveria, po dikton parlamentin. I thash bashkëpunimin, nuk guxojmë me qujt interferim, thash ajo me Kushtetutë…

Veseli: Po ajo, ajo osht me Kushtetutë more loptë e kqija thuj more loptë e…

Grabovci: Çka po bon ti?

Veseli: Mirë mirë mirë, knej jom knej jom, knej ka pleqtë.

Grabovci: A ka pleqtë je a?

Veseli: Po, vallain po, valla po.

Grabovci: Qysh i ki planet kto ditë, a qysh?

Veseli: Hajt se shihem…

Grabovci: Me (nuk kuptohet) ka i 20-ti e kem.. e kryjmë buxhetin.

Veseli: Hajde për hair.

Grabovci: E n’ta marrtë menja, me rezervu najkun që tham a, qysh e ki (nuk kuptohet) a?

Veseli: Hajde, hajde pe kqyrum. Hajde se shihum n’Prishtinë edhe kqyrum…

Grabovci: Për shkak t’fmive që i ki, qysh i ki mundësit kur?

Veseli: Kqyrum…

Grabovci: Me kanë dikun ma mirë, dikun që ju përshtat fmive.

Veseli: E jo valla, me mujt dikun me kqyr ku është ai far veni.

Grabovci: Jo unë po të thom ty, kqyr ku u përshtatet ma shumë.

Grabovci: Dikun katër pesë ditë a i javë a…

Veseli: Po bisedojmë bashkë tani e kqyrum.

Veseli: Katër pesë ditë i kom, bisedoj kur je atje… hajt n’fillim t’javës a je anej?

Grabovci: Po po po.

Veseli: Hajt.

Grabovci: T’fala shumë pleqve.

Veseli: Faleminderit shumë hajde.

Grabovci: Hajde shumë t’fala.

Veseli: Hajde faleminderit, tung tung.

Biseda e tretë

Grabovci: Alo, Alo…

Veseli: Qe veç pak, prit dostit, se m’nxone keq. Ku je more?

Grabovci: Ç‘kemi?

Veseli: Qe se isha t’u e desh setrën kur e pash.

Grabovci: Hehehe.

Veseli: A je lodh?

Grabovci: Kapak.

Veseli: Ka je kshty?

Grabovci: Vallain qitash dola n’drekë, n’daq me ditë.

Veseli: Hajde t’boft mirë bravo. Me kon je?

Grabovci: Me Naimin qetu… me Naim Fetahun e me…

Veseli: O hallall ju koftë, qysh o bre Naimi?

Grabovci: Mirë mirë, si pllum.

Veseli: Hallall i koftë.

Grabovci: Ti a je mirë?

Veseli: Mirë, mirë.

Grabovci: A je lodh a, si ke kalu a?

Veseli: Jo jo kapak, jo kapak, ti?

Grabovci: Ka je n’kryeqendër a…?

Veseli: Po n’drekë jom.

Grabovci: Hajde mirë t’baftë.

Veseli: Hajde se shihem ma vonë, a u bo.

Grabovci: Ani hajt kur t’lirohesh.

Veseli: Hajt u ba, u bo.

Grabovci: Faleminderit shumë a. Faleminderit. Tung tung.

Biseda e katërt

Naseri: Alo urnoni?

Grabovci: Alo.

Naseri: Naseri n’telefon.

Grabovci: Hej, Nas ku je?

Naser: Qe vallain, qa i kini puntë?

Grabovci: Mirë mirë, ka jeni kshtu?

Naseri: Osht pak nxan.

Grabovci: A?

Naseri: Ku je ti ?

Grabovci: Oo… kesh me kta t’komisionit bre për… për Prevallë kanë kanë me shku, s’po du me shku unë e…

Naseri: Çka a po don naj sen a? Qe prit veç pak. Qe ta jepi.

Grabovci: Hajt hajt, le ma vonë, masi masi t’lirohet dëgjohmi.

Naseri: Merre, merre, merre. Tung.

Veseli: Burri ja flet ja s’flet, fol?

Grabovci: Hehehe…, ça i ki puntë a je mirë?

Veseli: Mirë, mirë.

Grabovci: Se kom ni telefonin se kesh…

Veseli: Ma murr menja qata, ma murr menja.

Grabovci: Ça i ki puntë?

Veseli: Mirë mirë, te Ariu jom.

Grabovci: Po a?

Veseli: Po.

Grabovci: Hajt (nuk kuptohet) se e kem me kta me Ramizin e me kta, për Prevallë.

Veseli: (nuk kuptohet) hajde kqyrni atje tani unë kah qyteti jam… për qata edhe unë deri qitash (nuk kuptohet).

Grabovci: U bo.

Veseli: A je lodh, a je mërzit a?

Grabovci: Kapak, kapak.

Veseli: Hajde, hajde, hajde se n’qytet tani vi une. Tung, tung, tung.

Grabovci: U bo, u bo faleminderit.

Biseda e pestë

Veseli: Adem.

Grabovci: Ç’kemi?

Veseli: Unë jom mirë, ku je ti?

Grabovci: Hehe… n’Parlament qitu.

Veseli: Edhe sa je n’Parlament?

Grabovci: Kem’ edhe pak.

Veseli: Shumë i papërgjegjshëm bre Adem, qysh bre Adem me t’votu ata, qysh bre se na.. (nuk kuptohet)

Grabovci: Hej, hej, mos um trano. Kur ti qojsh njerzit e pa përgjegjshëm normalisht.

Veseli: O pasha (nuk kuptohet) pa t’shkarku si kryetar i Grupit parlamentar se kisha lanë

Grabovci: Hahahaha…

Veseli: Qysh more a u bonet budallë?

Grabovci: M’ke shti me kesh qitash.

Veseli: A shkit, shkit kanë votu a?

Grabovci: Aha.

Veseli: Ooo… a e ki (nuk kuptohet) aty?

Grabovci: Po.

Veseli: Ama ni sekondë… hej, hajde deri kur je anej.

Grabovci: Hajt qetash kur t’lirohem t’thirri.

Veseli: Hajde, ani ama (nuk kuptohet).

Grabovci: Se kom ktu. Jashtë jom dal n’koridor, mrena n’sallë.

Veseli: Aha… mrena, mrena krejt a?

Grabovci: Ëhë…

Veseli: Hajde, hajde pra.

Grabovci: Hajt.

Veseli: Hajt.

Biseda e gjashtë

Veseli: Alo.

Grabovci: Tungatjeta.

Veseli: Hej, ku je, si je?

Grabovci: Vallain qe qitu te banesa tu e pi ni çaj.

Veseli: Me kon?

Grabovci: Me Miftar doktorin.

Veseli: Qysh o Miftar doktori, mirë a?

Grabovci: Mirë, mirë.

Veseli: Ti qysh je?

Grabovci: Mirë mirë.

Veseli: A e kalove naj qysh a u lodhe a?

Grabovci: Po, ja mirë, mirë kalum.

Veseli: A, bravo.

Grabovci: Ti çka bane?

Veseli: Mirë vallain mirë.

Grabovci: Ka je n’sheher a?

Veseli: Jo more n’sheher jom ni darkë, jom tu…,

Grabovci: Mirë shumë. Okeej. Jo veç thash…

Veseli: A u lodht, a u mërzit, a ka naj sen a?

Grabovci: Hiq hiq, me t’vjetra.

Veseli: Kshtu mirë a?

Grabovci: Mirë mirë. A përfundimisht ëë Agronin po… po e çojmë n’bjeshkë a?

Veseli: Po de. Po. Po.

Grabovci: U bo.

Veseli: Po kismet po. Kismet po. Edhe dëgjo, nejta sot me kit mikun tond, si ke taku me grykën a je ka kupton..

Grabovci: Me?

Veseli: Me ministrin, ministrin…

Grabovci: A. Po.

Veseli: …Dmth nejta unë me to, e m’kallxoj edhe për ty, thash e vallain edhe për mu qashtu, tha jom t’u kqyr tha… (nuk kuptohet) ,

Grabovci: U bo.

Veseli: Qaty nejta pak. tani metum edhe me bisedu. E tana i ditë me dal n’drekë unë, ti e ai..

Grabovci: Ani ani, bash mirë.

Veseli: Ani. Hajde. Ke shumë entuziast. Shumë entuziast.

Grabovci: E veç thash çt’lajmrona.

Veseli: Faleminderit shumë. Hajde t’fala.

Grabovci: Kalo mirë, kalo mirë. Tung, tung.

Biseda e shtatë

Veseli: Tungatjeta Adem. Marova bre zoti Adem!

Grabovci: Po ku je more ku je, as telefonin s’pe çon.

Veseli: (S’kuptohet)

Grabovci: As telefonin s’pe çon.

Veseli: … (nuk kuptohet) Kot o tani me u munu me t’marrë… (nuk kuptohet)

Grabovci: Babi babi…

Veseli: Eu… i përkushtuar, i përkushtuar.

Grabovci: Si tre ujq. Njonit mi than kqyr babit telefonin maje, mule.

Veseli: Hahaha… qysh je o bacë, ku je?

Grabovci: Vallain qe.

Veseli: A je lodh hiç?

Grabovci: Kapak, kapak.

Veseli: Naj sen t’re a, a t’vjetër a, ka je?

Grabovci: Po kesh n’Prishtinë, ë pramë jom kthy se kesh n’Bruksel qatje.

Veseli: A kalove mirë?

Grabovci: Vallain kem kalu mirë shumë.

Veseli: Hajde për hajr.

Grabovci: Patum takim me ë tanë kta, a po kupton, me kta far bosat, … ma i madhi ka qenë kur i përshëndetsha, e ju thosha kom kënaqësinë, t’ju përshëndes në emër të delegacionit, ma domethonsë dhe ma përfaqësor që, është mesazhi ma i miri… se çfare është gjendja n’Kosovë n’emër t’shkive e t’hashkalive, e tanë…

Veseli: Aa… hallall.

Grabovci: Hahaha…

Veseli: Hallall t’koftë.

Grabovci: E tjera tjera, po mirë, mirë kom kalu.

Veseli: A ju priten mirë?

Grabovci: Shumë mirë na kanë pritë.

Veseli: E bravo!

Grabovci: Edhe do llafe, po kur t’ja thush a din kshtu drejtë.

Veseli: Po?

Grabovci: Për liberalizim t’vizave, e folum kshtu bukur…, than ja jepum ë fjalën mas largu deri n’dhetë, n’fillim t’dhjetorit ka me fillu dialogu edhe kem me ë dhanë kontributin tonë me përfundu sa ma shpejt. U thash, thash ëë jemi gjithëpërfshirës, përfshi për t’gjithë a din, por qytetartë e Kosovës pa përjashtim po e ndinë vetën t’fym edhe t’anashkalum …dhe t’izolum dhe ju pe boni ni padrejtësi t’madhe ndaj Kosovës dhe po e detyroni popullin e Kosovës që të merr ë pasaportë dhe dokumenta të shteteve fqinje, qoftë Shqipërisë, qoftë Malit t’Zi, qoftë Serbisë, qoftë Maqedonisë, për të udhëtuar jashtë.

Veseli: Aha…

Grabovci: Edhe ky Kukani.

Veseli: Po!

Grabovci: Tha, zotëri Grabovci… kur e murr fjalën ai, toni ke edhe ky ky slloveni, e kjo Doris Packu e, Lunaçeku e…

Veseli: Po…

Grabovci: Ky osht ni argument shumë logjik dhe shumë bindës, që deri më sot nuk na ka ë thanë dikush, po ne pajtohemi plotësisht se osht qashtu edhe osht padrejtësi.

Veseli: Hajde thuj nimona pak thuj.

Grabovci: E qaty toni ai Kukani, tha jau jap ë fjalën si deri me 10 dhjetor ka me fillu dialogu.

Veseli: Hjade, hajde për hair ishalla.

Grabovci: Mirë, mirë, kem kalu, mirë kem kalu kshtu…

Veseli: Ju lumtë, ju lumtë! Vetë qysh je? E pse s’shkove te Hasan Prishtina, ktu ë janë anku se unë s’shkoj, jom kuq edhe unë, ka thirr ai…

Grabovci: Kush?

Veseli: ky… te Hasan Prishtina, ktu n’Rektorat, Buja (ose Muja) e ka bo.

Grabovci: Kuku, pasha allahun kom harru.

Veseli: Vallain, kuq jena….

Grabovci: Kuku… tash ai tash ai preket, thotë hë…

Veseli: Jo mejher, mejher thirre! Unë ja çova ni urim ma t’përzemërt, t’lumtë…

Grabovci: N’sa, n’sa e ka pas?

Veseli: Qitash, qitash n’televizion e ki, drejtpërdrejtë.

Grabovci: U… pasha besën kom harru qe.

Veseli: Hajt se s’o gajle veç…

Grabovci: Jo, po m’vjen keq prej tij, se a din se…

Veseli: Jo valla se ka meritu mos mi shku sepse, po ë unë nuk dojsha me shku (nuk kuptohet) kete far hamom politike…

Grabovci: E ti kshtu ku je, ku je?

Veseli: Unë qitash jom n’Prishtinë, jom tu dal pak me fmi edhe n’mramje jom ktu. Që je knej shihemi.

Grabovci: Okej hajt ta boj ni telefon.

Veseli: Hajde, hajde, a je knej ti, a je anej?

Grabovci: Jom ka Peja t’u shku.

Veseli: Hajde hajde, kalo mirë.

Grabovci: Se kthena unë, kthena.

Veseli: Edhe ti ja paske bo si unë berllog.

Grabovci: Hahaha… hajde hajde./Insajderi.com

(Në transkriptim të bisedave mund të ketë lëshime të vogla teknike)./insajder

Ja sa mijëra përdorues të drogës janë në Kosovë

Në Kosovë janë 3.000 deri në 5.000 përdorues problematikë të drogës që janë të varur dhe që e përdorin rregullisht dhe kanë problem me ligjin, kanë bërë të ditur Policia dhe një terapist i njohur kosovar i përdoruesve të drogave.

Më shqetësuese, sipas tyre, është se po rritet vazhdimisht numri i përdoruesve të drogave nga moshat e reja, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapike “Labirinth”, Safet Blakaj, ka thënë se droga e tipit heroinë ka shënuar rënie të dukshme, posaçërisht tek të rinjtë derisa ngritje ka pasur tek drogat e tipit kokainë si dhe amfetamin ose speed.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se për luftimin e dukurive negative në shoqëri, përveç veprimeve aktive policore është e domosdoshme ndërmarrja e masave proaktive.

Florim Isufi: Kufiri me Malin e Zi ka devijime

Profesori i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Florim Isufi ka thënë se kufiri me Malin e Zi ka devijime të theksuara dhe se ky devijim më së shumti shfaqet në pjesën perëndimore dhe veriore të komunës së Pejës, respektivisht komplet në zonën burimore të Lumbardhit të Pejës dhe në pjesën e Zhlepit.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Isufi u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mos e ratifikojnë kufirin me Malin e Zi pa e shikuar mirë të gjithë dokumentacionin, sidomos hartën e zonave të kadastrave të vitit 1974, e cila sipas tij dëshmon humbjen e terrorit të Kosovës.

Ai ka thënë se ekpertët e kanë kryer një obligim moral ndaj Kosovës dhe tërësisë territoriale, kurse tash u mbetet deputetëve ta marrin mbi supe vendimin  për ratifikimin ose jo të demarkacionit me Malin e Zi.

Xharra – Bahtirit: Pse rren, barikadat në pjesën veriore nuk janë hequr

Kryeredaktorja e gazetës “Zëri”, Arbana Xharra ka reaguar pas largimit të barrikadës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Xharra, përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri i mashtroi qytetarët në lidhje me largimin e barrikadës mbi lumin Ibër.

Sipas Xharrës, ky ishte vetëm një mashtrim i Bahtirit vetëm për të fituar poen politikë, pasi që siç shprehet ajo, në pjesën veriore barrikada nuk është hequr fare, madje ajo ruhet nga Policia e Kosovës dhe KFOR-i.

Postimi i plotë i Xharrës:

Kryetari i Mitrovicës, sot ka bërë një shoë sa qesharak po aq edhe manipulues, sa për të fituar ndonjë poen politik, dhe për të mbuluar dështimin e tij në menaxhimin e kësaj komune. Ai sot ka hequr disa lastra në pjesën jugore të Mitrovicës, të cilat ka mundur t’i largojë kur të dojë. Në pjesën veriore ato nuk janë prekur. Nga fotografitë e bëra prej vendit të ngjarjes nga Laura Hasani shihet si barrikadat po ruhen nga Policia dhe KFOR-i.

Mashtrimi i Agim Bahtirit me barrikada!

arbbb

Kryetari i Mitrovicës, sot ka bërë një show sa qesharak po aq edhe manipulues, sa për të fituar ndonjë poen politik, dhe për të mbuluar dështimin e tij në menaxhimin e kësaj komune. Ai sot ka hequr disa lastra në pjesën jugore të Mitrovicës, të cilat ka mundur t’i largojë kur të dojë. Në pjesën veriore ato nuk janë prekur. Nga fotografitë e bëra prej vendit të ngjarjes nga Laura Hasani shihet si barrikadat po ruhen nga Policia dhe KFOR-i.

Ahmeti: Klani kriminal ka kapur shtetin, largohet vetëm me protesta

PRISHTINE- Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti deklaron se papunësia nuk është rezultat i fatit, por pasojë e klanit kriminal që ka kapur shtetin, i cili nuk mund të përparojë derisa të jetë ky klan.

Në një konferencë për mediat ai ka folur për përgjimet, ku tha se kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi ka rastin të dëshmojë dhe të marrë veprime.

“Nëse kryetari i Gjykatës së Apelit është vendosur vetëm me një telefonatë merreni me mend se sa njerëz, gjykatës e prokuror janë vendosur aty në këtë mënyrë”, tha ai.

Ahmeti shtoi se nëse Kadi Veseli po mundohet ta rivitalizojë duke thënë se ka edhe në parti tjera, atëherë e ka gabim, vetëm nëse është duke thënë për LDK-në.

Afati kalimtar i deputetëve, shpresa e fundit e pushtetarëve – Nga Florim Zeqa

Mungesa e numrave të pozitës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, i detyroi pushtetarët që të shtyejnë seancën deri me 1 Shtator, për procedimin e çështjes së votimit të demarkacionit në Kuvendin e Republikës së Kosovës .
Këtë veprim të detyruar, pushtetarët e ndërmorën me shpresën që gjatë kësaj përiudhe t’i sigurojnë numrat, t’i blejnë ata deputet që janë të gatshem të shiten si prostitutat për para, poste dhe privilegje të tjera pushtetore.
Thënë ndryshe, nga tani e deri me 1 Shtator, mbetët i hapur afati kalimtar i kalimit të deputetëve të “rebeluar” në radhët e pushtetarëve, më pas do të filloj loja e shtrigave kundër tyre…
Ata deputet që shiten në këtë mënyrë, nuk konsiderohen gjë tjetër përveqse numra dhe shpirtëra të shitur, janë prostituta politike që nuk i zgjedhin klientët e tyre kur janë në pyetje shumat e mëdha të parave dhe postet politike.
Kjo klasë e prostitutave politike janë duke u shndrruar në shkaktarët më të mëdhenjë të gjendjes katastrofale në vend. Të tillët duke mos mbrojtur as një parim demokratik dhe vlerë njerëzore u shitën për lidhjen e kurorës së turpit qeverisëse (PDK-LDK), u shiten për zgjedhjen e një kryeministri kukull dhe zgjedhjen e të ashtuquajturit president, sa kontravers po aq përçarës të skenës politike kosovare.
Disa nga deputet që shitën shpirtërat e tyre para dy liderëve (Thaçit e Mustafës)  më të korruptuar në vend dhe më të shantazhuarit në rajon, u shpërblyen me poste ministrore, ambasador dhe konsuj në vendet përëndimore, udhëheqës të bordeve në departamentet e shumta qeveritare, presidenciale apo në stafin e zgjeruar të kryeparlamentarit Veseli.
Ndërsa, për ata deputet që nuk ju binden urdhërave të liderëve partiak në pushtet, këta të fundit kanë filluar fushata denigruese me metoda komuniste për luftimin e tyre duke i trajtuar si armiq të brendshëm partiak.
Deklaratat e fundit të kryeministrit të vendit, se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin do të bëhet edhe reformatimi i qeverisë, s’janë gjë tjetër veqse një “promovim” i afatit kalimtar të deputetëve në vijën e turpit qeveritar.
Se cilët deputet do të jenë të parët që do të shesin shpirtin e tyre, nderin dhe dinjitetin familjar tek pushtetarët e korruptuar, duke ua mundësuar këtyre të fundit shitjen e territorit të vendit në këmbim të mbrojtjes së lëkurës së tyre nga akuzat e rënda për korrupsion dhe krim të organizuar ekonomik dhe politik, mbetët të shifet në ditët dhe javët në vazhdim.
Deputetët, të zgjedhurit e popullit, në vend të ofertave të majme nga pushtetarët duhet të dëgjojnë zërin e qytetarëve, vullnetin e elektoratit të tyre e jo dëshirat e liderëve të korruptuar.
Deputetët shqiptar në kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të bashkohen,j o vetëm në kundërshtimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të komunave serbe (“Zajednicës”), por për më tepër për ta larguar nga pushteti këtë klasë të shëmtuar politike, të mykur nga e kaluara e tyre komuniste që e katandisen keq vendin dhe thyen shpresat e qytetarëve për jetë në vendin shënjtë-Dardanisë Antike (Kosovës së sotme).
Një gjë e tillë edhe pritet të ndodhë, pasi numri i deputetëve që po e kundërshtojnë Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi tashmë është rritur me të madhe në radhët e partive të koalicionit qeverisës.
Këtë më së miri e vërteton shtyerja e seancës së paralajmëruar (11.08.2016) për ratifikimin e marrëveshjes, shkaku i mungesës së numrave në kuvend.
Janë mbi dhjetë deputetë të partive të koalicionit qeverisës të cilët janë shprehur hapur kundër marrëveshjes fatkeqe për demarkacionin .
Është mirë që më në fund edhe disa deputet të pozitës e kanë kuptuar se kërkesat e krerëve shtetëror për ratifikim të marrveshjes, s’janë gjë tjetër veq kërkesa për shitjen e territorit të vendit në këmbim të mbajtjes së pozitave të tyre pushtetore.
Andaj kemi arsye të besojmë dhe shpresojmë që deputetët e kësaj legjislature do të mbahen mend ndër gjenerata si legjislativ i cili nuk ratifikoi marrëveshjen që copëton sërish trojet shqiptare.
Është nderë dhe krenari për secilin deputet të Kuvendit të Republikës së Kosovës nëse bëhet “rebel” për Isa Mustafën, Hashim Thaçin, Kadri Veselin,….për të mbajtuar me faqe të bardhë anën e popullit, vullneti i të cilit i thotë STOP tradhëtisë, JO faljes së tokave shqiptare.
Zoti i bekoftë ata deputet dhe deputete që i qendrojnë besnik betimit të dhënë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kosova iu kundërpërgjigjet pretendimeve të Serbisë për pronat

Miniera e Trepçës, 2014

Autoritetet e Kosovës iu kanë kundërpërgjigjur deklaratave të kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, i cili ka përsëritur se disa prona të cilat gjenden në Kosovë, përfshi edhe ato që njihen si gjigantë të ekonomisë kosovare, janë prona të Serbisë.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë ritheksuar se çdo pronë që është në territorin e Kosovës është e Republikës së Kosovës dhe se nuk i takon dhe as nuk do t’i takojë Serbisë.

Aleksandër Vuçiq, gjatë paraqitjes së programit të tij për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ditë më parë ka deklaruar se mbrojtja e pasurisë së serbëve në Kosovë do të jetë në krye të prioriteteve të Qeverisë së Serbisë.

“Kemi luftuar gjithë kohën dhe do të luftojmë për Trepçën, Gazivodën, për infrastrukturën në Brezovicë, edhe pse e dini se si jemi ballafaquar me privatizimet e paligjshme dhe me tjetërsim të institucioneve të përkohshme në Prishtinë”, ka thënë Vuçiq.

Në lidhje me këto pretendime, Sokol Havolli, shef i kabinetit në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se deklaratat e kryeministrit të Serbisë janë të kota.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Havolli thotë se gjithçka që është pronë e Kosovës, qoftë publike, shoqërore apo private, do të mbetet e statutit të tillë, ashtu siç është paraparë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Në këtë drejtim, as Trepça, as Gazivoda, e asnjë pronë tjetër që gjendet në territorin e Kosovës nuk do t’i takojë askujt tjetër përveç Kosovës, qytetarëve të saj dhe institucioneve të Kosovës. Këto deklarata të kryeministrit Vuçiq janë disa deklarata të kota që bëhen për konsum të brendshëm në ambientet e tyre”, thekson Havolli.

Ai shton se për institucionet e Kosovës është më rëndësi të respektohet Kushtetuta, të respektohen ligjet e Kosovës, si dhe të sigurohen plane zhvillimore për të gjitha këto asete, të cilat janë strategjike për ekonominë e vendit.

Sidoqoftë, Serbia vazhdimisht ka pretenduar në pronat të cilat gjenden në Kosovë. Së fundi, ka qenë rasti i kompleksit turistik Brezovica, i cili thuhet se ka dështuar pikërisht për shkak të një letre që Qeveria e Serbisë iu kishte dërguar investitorëve për të mos hyrë në procesin e koncesionimit të këtij projekti.

Dështimi i dhënies me koncesion të kompleksit turistik Brezovica ishte konsideruar nga ekspertët e ekonomisë humbje jashtëzakonisht e madhe për ekonominë e Kosovës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, pati deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Serbia mund ta ketë penguar këtë proces, por që nuk kishte pasur rol vendimtar.

“Ka pasur tentativa gjatë gjithë procesit që Serbia të ngadalësojë qoftë agjendën ekonomike, qoftë atë të integrimit evropian të Kosovës, apo anëtarësimin në mekanizma rajonalë dhe ndërkombëtarë”.

“Në rastin e Brezovicës ka pasur tentativa, ka pasur edhe një letër që iu është dërguar investitorëve potencial, por nuk besoj që ka pasur rol vendimtar. Ne si institucione dëshirojmë të punojmë me investitorë të cilat e njohin sovranitetin e këtij vendi, të cilët janë në gjendje të vijnë dhe të punojnë sipas Kushtetutës së këtij vendi”, kishte thënë Bajrami.

Ndërkohë, edhe ministrja Bajrami kishte theksuar se Serbia nuk e ka asnjë të drejtë legjitime mbi asetet që gjenden në territorin e Kosovës

Derisa kryeministri i Serbisë pretendon se disa nga asetet e Kosovës i takojnë Serbisë, Kosova zyrtarisht ka prona të ndërmarrjeve shoqërore në Serbi.

Sipas një dokumenti të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore. Në bazë të dokumentit të kësaj agjencie, shumica e pronave janë lokale dhe zyra.

Lidhur me zgjidhjen e problemit të pronave që gjenden jashtë territorit të Kosovës, ekspertë për çështje ekonomike vazhdimisht kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që ta zgjidhin këtë çështje. (REL)

Qytetarët e Kosovës nuk i largohen bregdetit turk

Përfaqësues të kompanisë “Eurokoha” thonë se numri i qytetarëve që kanë zgjedhur bregdetin turk për t’i kaluar pushimet verore, vazhdon të jetë i njëjtë sikurse edhe viteve të kaluara, shkruan sot gazeta Zeri.

Çmimet e lira të ofertave kanë bërë që numri i qytetarëve nga Kosova, që kanë zgjedhur bregdetin turk për t’i kaluar pushimet verore, të jetë i njëjtë sikurse viteve të kaluara. Përfaqësues të kompanive turistike thonë se deri tash janë shumë të kënaqur me interesimin e qytetarëve për të pushuar në këtë shtet.

Pranvera Bojniku nga kompania “Eurokoha” thotë se trendi i qytetarëve të cilët shkojnë për të bërë pushime në këtë shtet vazhdon të jetë i palëvizshëm.

Dogana e Kosovës lirohet nga monitorimi dhe mbikëqyrja e EULEX-it

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Lulëzim Rafuna u shpreh se me mandatin e ri të EULEX-it dogana është institucioni i parë që po lirohet nga monitorimi dhe mbikeqyrja

PRISHTINË – Me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes dhe monitorimit të Doganës nga ana e EULEX-i, sot u mbajt takimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës, Lulëzim Rafuna, dhe ushtruesit të detyrës së shefit të EULEX-t, Bernd Thran. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendës ambasadori i SHBA-ve, James Hope.

Pas takimi, në një konferencë për media Drejtori i Përgjithshëm i Doganës, Lulëzim Rafuna u shpreh se me mandatin e ri të EULEX-it dogana është institucioni i parë që po lirohet nga monitorimi dhe mbikëqyrja.

Rafuna falënderoi misionin e EULEX-it për bashkëpunim dhe popullin amerikan që me taksat e tyre janë bërë shumë investime në Doganë.

Ushtruesi i detyrës së shefit të EULEX-t, Bernd Thran falenderoi doganën e Kosovës për bashkëpunimin e mirëfilltë. Ai shtoi se Kosova ka pasur një progres të madh, sidomos Dogana, të cilin progres e ka arritur me anë të bashkëpunimit.

Thran theksoi se dogana tani është në rrugë të mbarë për të bërë një shërbim doganor modern dhe në përputhje me praktikat më të mira të BE-së. Ai shtoi se dogana ka treguar një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë 6 viteve të kaluara të mandatit të EULEX-it.

“Ndihma e BE-së dhënë nëpërmjet këshilltarëve të EULEX-it ka qenë një investim i mirë dhe i qëlluar”, u shpreh Thran.

Ai gjithashtu bëri të ditur se në fund të vitit të kaluar dogana e Kosovës ka arritur një rekord, duke mbledhur 950 milionë euro përgjatë gjithë vitit, rreth 10 përqind më shumë se në vitin 2014, ndërsa në 7 muajt e parë të këtij viti ka hartuar 545 milionë euro, që janë 20 përqind të hyra më shumë se vitin e kaluar, duke theksuar se deri në fund të vitit pritet që kjo të arrijë deri në 1 miliardë euro.

Sipas tij, të gjitha këto para shkojnë në buxhetin e Kosovës, nëpërmjet të së cilit do të ketë më shumë ofrime për qytetarët e Kosovës.

Thran bëri të ditur se janë bërë reforma të shumta në Doganë, që kanë të bëjnë me masat kundër korrupsionit. Ai shtoi se njerëzit tani mund t’i raportojnë shqetësimet e tyre në një linjë telefonike për ta shtuar transparencën.

Bernd Thran theksoi se misioni i EULEX-it edhe pse nuk ka mandat më në Doganë, do ta ndihmojë këtë institucion në këshillime strategjike.

Ndërkohë zëvendës ambasadori amerikan Hope shprehu krenarinë e SHBA-ve për mbështetjen e doganës së Kosovës ku kanë ofruar ndihmë monetare prej 5 milionë dollarëve dhe 150 module trajnimi.

Hope theksoi bashkëpunimin me EULEX-in dhe Doganën e Kosovës i cili do të funksionojë në të mirën e popullit të Kosovës.

Thaçi e dekoroi dëshmorin Agim Bajrami me urdhrin “Heroi i Kosovës”

Agim Bajrami ka rënë dëshmor në luftë gjatë vitit 1998

PRISHTINË – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur në takim anëtarë të familjes së dëshmorit Agim Bajrami, i cili ishte ish komandant i njësive për Kaçanik dhe zëvendëskomandant i Zonës Operative të Nerodimes.

Në një njoftim zyrtar nga Presidenca thuhet se Presidenti Thaçi duke u bazuar në sakrificën dhe trimërinë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ka dekoruar Agim Bajramin me urdhrin “Heroi i Kosovës”. Thaçi dekoratën ia dorëzoi familjes Bajrami.

Agim Bajrami ka rënë dëshmor në luftë gjatë vitit 1998. aa

LDK-ja ultimatum deputetëve të saj që janë kundër Demarkacionit

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se pas mbledhjes së djeshme të Kryesisë së LDK-së dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, u kuptua se të gjithë ishin në mbështetje të ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas tyre ky pajtim i të gjithëve vjen si rezultat i bindjes se Kosova me këtë proces e forcon shtetësinë  e sja e kështu duke e shënuar vijën e kufirit me Malin e Zi, Kosova nuk humb ansjë pëllëmbë territor si dhe me anë të këtij ratifikimi hapet rruga për liberalizimin e vizave.

Konventa e LDK-së, e mbajtur në maj të ktij viti kishte mbështetur plotësisht orientimet strategjike të prezantuara nga kryetari i LDK-së, njëherës kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, orientime në të cilat përfshihej edhe Demarkacioni me Malin e Zi.

Përkrahjen për këtë të fundit e kanë dhënë edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Ata kanë thënë se zërat që po dëgjohen në opinionin publik, pra deputetë apo anëtarë të LDK-së të cilët shprehen se do të votojnë kundër në Kuvend, duhet të tregojnë se cilit koalicion i përkasin.

LDK u ka bërë thirrje atyre që të mos flasin për koalicionin qeverisës, sepse qëndrimet e LDK-së i prezantojnë  organet udhëheqëse dhe statusore, kurse sipas tyre është çështje e vullnetit të tyre ndoshta edhe ndonjë interesi që të bëhen zëdhënës të AAK-së në njërën anë dhe mbështetër të atyre që po përdorin gazin lotësjellës dhe dhunën kundër institucioneve, në anën tjetër.

Ata shprehen se LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë në anën e atyre që ushtrojnë dhunën dhe as në anën e atyre që kontestojnë hapat për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Individët, të cilët çdo ditë e helmojnë opinionin me të pavërteta, që mundohen me çdo kusht ta mbështesin një kauzë të rrejshme dhe krejtësisht me motive politike të opozitës nuk prezantojnë qëndrimet e LDK-së dhe nuk janë në anën e LDK-së.

Sipas tyre ata deputetë që bashkohen me ata që shpallin tradhtar çdo ditë, që kërcënojnë dhe shtantazhojnë shtetin dhe sipas tyre këta deputetë mund të kenë agjenda individuale por nuk prezantojnë politikat dhe qëndrimet e LDK-së.

Vuçiçi: Zgjidhja është njohja e Kosovës, por këtë nuk e bëjmë

Kryeministri i zgjedhur serb, Aleksandër Vuçiçi, i drejtohet parlamentit në Beograd

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi ka thënë sot në parlamentin serb në Beograd se “nyja Gordiane” rreth çështjës së Kosovës do të tejkalohej me njohjen e Kosovës.

“…por, këtë nuk mundet dhe nuk do ta bëjë” as qeveria e re e Serbisë ka thënë Vuçiçi.

Parlamenti serb sot është duke e mbajtur seancën gjatë së cilës deputetët kanë të drejtë t’i shtrojnë pyetje Vuçiçit. Ky i fundit është paraqitur para ligjvënësve serbë me përbërjen e qeverisë së re, tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për mandatin e ri të pushtetit qëndror.

Në mesin e qindra pyetjeve në seancën që po vazhdon, shefi i qeverisë serbe është pyetur se si do të zgjidhet çështja e Kosovës.

“Zgjidhja e vetme aktuale për Kosovën, ajo që do të zgjidhte nyjen gordiane, do të ishte që qeveria e Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës. Por, këtë qeveria nuk mundet dhe nuk do ta bëjë”, ka thënë Aleksander Vuçiq.

PDK përkrah unanimisht ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës i ka dhënë mbështetje unanime ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Në mbledhjen që ka mbajtur Kryesia e PDK-së, nën drejtimin e kryetarit të saj, Kadri Veseli është thënë se pas diskutimeve konstruktive dhe dëgjimit të gjitha argumenteve për procesin e shënjimit të vijës kufitare, duke u nisur nga përgjegjësia shtetërore, ka vendosur unanimisht që të përkrah miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes.

“Konsolidimi i shtetit, partneriteti me ShBA-në e BE-në, dhe përshpejtimi i proceseve integruese për qytetarët tanë, është me rëndësi jetike për të ardhmen tonë perëndimore”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PDK.

Kjo parti politike konsideron se shënjimi i kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është një detyrim kushtetues dhe obligim ndërkombëtar që kontribuon drejtpërdrejtë në konsolidimin e sovranitetit, në integritetin territorial dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Glauk Konjufca shoqërohet në polici

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është shoqëruar në polici, pas hedhjes së gazit lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohej për dërgimin në Kuvend të marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se “Nuk ka dhunë e polici që do të mund t’ia bëjë të pranueshme popullit të Kosovës faljen e mbi 8000 hektarëve të territorit të tij”.

Ndonëse ishte paraparë që seanca për Demarkacionin të mbahet gjatë kësaj jave, Kryesia ka marrë vendim që ajo të shtyhet deri në fillim të muajit të ardhshëm, për të gjetur ndonjë konsensus midis palëve, pushtetit dhe opozitës.

Situata politike në Kosovë drejt përshkallëzimit

Rikthimi i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës po përkeqëson edhe më shumë gjendjen politike në Kosovë si dhe po ngushton hapësirën për gjetjen e një konsensusi politik për të dalë nga kriza politike në të cilën aktualisht është vendi, thonë analistë të çështjeve politike.

Sipas tyre, situata në Kosovë mund të përshkallëzohet edhe më shumë në kohën e dërgimit të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacion të kufirit me Malin e Zi, në Kuvend.

Analistët thonë se është urgjente që të gjenden forma për të tejkaluar këtë situatë në të cilën ka hyrë vendi dhe se mënyra e vetme mbetet dialogu, por për të cilin, shprehen mjaft pesimistë se ka mbetur hapësirë.

Gazi lotsjellës është rikthyer në Kuvend të martën, gjatë mbledhjes së Komisionit për Punë të Jashtme, ku po shqyrtohej Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes me Malit të Zi.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi pak para se të votohet ky projektligj nga komisioni për procedim në kryesinë e Kuvendit për procedura të mëtutjeshme, ka hedhur gazin lotsjellës në sallë ku po mbahej mbledhja.

Imer Mushkolaj, njohës i rrethanave politike në vend, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës kanë humbur rastin që të gjejnë një zgjidhje të situatës në të cilën ndodhet vendi.

“Është shumë vonë të gjendet një zgjidhje e cila nuk e përmban gazin lotsjellës dhe nuk e përmban dhunën, pasi që është lëshuar rasti me kohë që kjo gjendje të zgjidhet”.

“Duke pasur parasysh se si është zhvilluar procesi në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, duke pasur parasysh qasjen që e kanë pasur institucionet e Kosovës duke treguar një mospërfshirje të akterëve që do të duhej të ishin konsultuar për këtë çështje, pasi që është çështje nacionale, atëherë për mua kjo pikë në të cilën ka arritur reagimi për këtë çështje është logjik”, thekson Mushkolaj.

Me muaj të tërë ka vazhduar këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Një debat i mbajtur javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror, të ekspertëve, shoqërisë civile, deputetëve të të gjitha grupeve parlamentare dhe udhëheqësve të institucioneve të vendit, ka ripërsëritur qëndrimet e palëve.

Opozita thotë se Demarkacioni duhet të zhbëhet për të rinisur një tjetër proces, por paritë në pushtet dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare kanë bërë thirrje për votimin e marrëveshjes me të cilën do të hapej perspektiva e Kosovës.

Analisti i çështjeve politike Ismaj Hasani, ndërkohë thotë se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë e rëndë politike në të cilën ka hyrë vendi është dialogu.

Sipas tij, përsëritje e hedhjes së gazit lotsjellës është shenjë e keqe që flet për mospërgjegjësinë e opozitës në raport me atë që do të duhej të sillej lidhur me debatin me Demarkacionin.

“Nuk ka rrugë tjetër përveç dialogut sepse marrëveshja duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, rrugë tjetër nuk ka. Nëse duam integrime evropiane nëse duam liberalizim të vizave nëse duam që Kosovën ta shohim pjesë përbërëse të integrimeve euroatlantike atëherë është rruga e vetme është ofrimi i fakteve ofrimi i argumenteve në suazë të dialogut dhe në asnjë mënyrë me sjellje siç është gazi lotsjellës”, thekson Hasani.

Analisti Hasani beson se është momenti i fundit që partitë politike në pushtet dhe atyre në opozitë të gjejnë një zgjidhje.

“Është mirë që të gjitha partitë politike, zyra diplomatike në nivel ambasadash duhet të ofrojnë shërbime sepse është momenti i fundit që kjo kauzë e cila po mbrohet me gaz lotsjellës dhe më mjetë tjera të pa justifikueshme për demokracinë të jenë një storie e së kaluarës për Kosovën”, thotë Hasani.

Megjithatë, analistët shprehen pesimist se para votimit në Kuvend të marrëveshjes për Demarkacion, do të ketë ndonjë konsensus politik. Aq më tepër kur qeveria tashmë e ka proceduar Projektligjin në Kuvend dhe ai po u nënshtrohet procedurave deri në seancën kur pritet të votohet.

Opozita ka paralajmëruar se do të pengoj ratifikimin e marrëveshjes, qoftë edhe me metoda jokonvencionale dhe ato radikale, duke mos e përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë. (REL)

PD: Ja emrat e policëve të Ramës të implikuar në trafikun e drogës

Partia Demokratike ka publikuar sot emrat e disa zyrtarëve të lartë të Policisë të cilët sipas saj janë të implikuar në trafik droge.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka tha në një konferencë për shtyp se Rama nuk e ka më mendjen të bëjë punën e kryeministrit, por po promovon biznesin e drogës.

“Në funksion të biznesit të drogës Edi Rama ka shtrirë inkriminim e drejtuesve të Policisë, siç raportohet edhe nga qytetarë dhe punonjës me integritet të Policisë së Shtetit. Drejtori i Qarkut Durrës, Perlat Cullhaj bashkë me shefin e Komisariatit Krujë, Erjon Ismaili drejtojnë dhe kontrollojnë territorin dhe trafikun e hashashit në gjithë malësitë e Krujës, duke vjelë 30% të parave për çdo rrënjë kanabis për shefin e madh në Tiranë. Ata kanë sigurisht një aleat të mirë për këtë biznes kriminal, që është kryetari i Bashkisë, Bushi i famshëm, i proceduar në Itali për trafik droge. Drejtori dhe shefi i policisë së Ramës, sigurojnë kalim të lirë të mallit për në Itali në Portin e Durrësit, përmes Drejtorit të kufirit, Boge Budini, dhe zëvendës drejtorit të Kufirit, Moisi Sula”, tha Paloka.

Sipas tij “Aranit Arapi, Drejtor i Qarkut të Gjirokastrës, vegla qorre e Ramës, gardiani besnik i plantacioneve dhe hambarit të madh të drogës që shtrihet në gjithë zonën, vecanërisht në vendlindjen e ministrit të brendshëm. Dritan Lenja është proceduar nga shërbimi i kontrollit të brendshëm për shkelje, abuzime dhe lidhje me narkotrafikun. Me lobimin e fuqishëm të Armando Prengës, ai vjen në krye të policisë së Qarkut të Lezhës, deputetit të Edi Ramës që gjakosi qytetarët në derën e komisariatit të Kurbinit. Ndërsa kushëriri i afërt i Tahirit, që ishte drejtor në Lezhë, Alban Cela, shkon me ngritje, drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër. Ja pra sesi Edi Rama inkriminon Policinë e Shtetit, sipas nevojave të baronëve të drogës. Ja pse Shqipëria është mbuluar nga droga si kurrë më parë. Ky biznes kriminal po asfikson vendin dhe ekonominë e ndershme, për të pasuruar një grusht njerëzish që ndajnë paratë me Edi Ramën”.

Policia shpërthen mjetin në shtëpinë e Murat Mehës

Policia e Kosovës në këto momente ka arritur që të shpërthejë mjetin në shtëpinë e Murat Mehës.

Burime nga terreni për “zeri.info”, kanë thënë se mjeti ka qenë granatë dore.

Arrestohet deputeti Driton Çaushi, për hedhjen e gazit lotsjellës

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, derisa qëndronte në zyrën e grupit parlamentar, brenda Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË- Policia arreston deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, pas hedhjes së gazit lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, ku po shqyrtohej projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai është arrestuar nga Policia e Kosovës, derisa qëndronte në zyrën e grupit parlamentar, brenda Kuvendit të Kosovës.

Përkundër hedhjes së gazit, Komisioni për Punë të Jashtme ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kosova dërgon një ekip të emergjencave për të ndihmuar Maqedoninë

Nisja e ekipit të emergjencave nga Kosova për në Maqedoni

Pas vërshimeve që ndodhën këto ditë në Shkup dhe pas kërkesë së shtruar nga Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim e Republikës së Maqedonisë, Kosova ka dërguar një ekip nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të ndihmuar vendin fqinjë në menaxhimin e situatës.

Drejtori i përgjithshëm i Agjencia e Menaxhimit Emergjent, Fadil Kodra, e përcolli këtë ekip duke e udhëzuar për rregullat, procedurat dhe operacionet që do t’i kryejnë atje ne mbështetje të qytetarëve të goditur nga fatkeqësia, thuhet një komunikatat ë lëshuar për media.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim e Maqedonisë, tani për tani më së shumti ka nevojë për pompa thithëse 800-1500 litra. Pasi ne kemi kapacitete të tilla, në përgjigje të kërkesës së kësaj drejtorie, ekipi i AME-së udhëtoi për në Shkup me këtë përbërje: tetë pjesëtarë, tre automjete, dy automjete me 4 pompa thithëse, gjithsejtë katër pompa 800-1500 litra dhe një automjet i komandës dhe mbështetjes logjistike”, thuhet në komunikatë.

Ekipi nga Kosova do të qëndrojë në mbështetje të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë, deri me datë 12 gusht dhe gjatë kësaj kohe, do të kryej operacione të shkarkimit (thithjes) të ujërave nga shtëpitë e përmbytura nga vërshimet.

Gaz lotsjellës në mjediset e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, i cili diskutoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Komisioni debatoi projektligjin e qeverisë së Kosovës për këtë çështje dhe kur po votohej për ta kaluar çështjen tek kryesia e parlamentit, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, hodhi gazin lotsjellës.

Në një njoftim të shkurtër të kësaj lëvizjeje paralajmërohet se këmbëngulja e pushtetit “që përkundër fakteve të pakontestueshme po insiston në ratifikimin e demarkacionit, do të përballet me rezistencë të fuqishme. Kosova nuk ka tokë për të falur!”, thuhet në një postim në facebook të kësaj lëvizjeje.

Deputeti Çaushi është shoqëruar në polici.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë dhe këto qëndrime u përsëritën edhe sot pas një takimi që zhvilluan të premten udhëheqësit e institucioneve e partive politike me diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Fatkeqësitë natyrore rrezikojnë edhe Kosovën

Pamje nga vërshimet në Maqedoni

Autoritetet kompetente në Kosovë pohojnë se janë të përgatitura për menaxhimin e fatkeqësive eventuale natyre. Sipas tyre, kapacitet njerëzore ekzistojnë dhe janë trajnuar për këtë çështje.

Në anën tjetër metereologët, vlerësojnë se Kosova duhet të jetë më shumë e përgatitur për tu përballur me fatkeqësi të mundshme natyrore.

Edhe pse në Kosovë nuk ka ndonjë rrezik të parashikuar, meteorologët, vlerësojnë se Kosova nuk mund të jetë imune ndaj këtyre ndodhive, të cilat viteve të fundit kanë goditur vendet fqinje, kurse së fundi Maqedoninë.

Fatkeqësi, konsiderohet një ngjarje apo pjesë e ngjarjes e shkaktuar nga forcat madhore të natyrës apo forcat tjera te pakontrolluara, të cilat rrezikojnë jetën e njerëzve, kafshëve dhe pronave, në përmasat e atilla që kërkojnë ndërmarrjen e masave dhe dislokimin e forcave dhe resurseve të veçanta.

Sylë Tahirsylaj, profesor i Agrometeorologjisë në Fakultetin e Bujqësisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se Kosova nuk mund të ndahet nga rajoni, meqenëse, lëvizja e masave ajrore nuk ka atdhe.

Tahirsylaj i cili ka qenë drejtor i Institutit Hidro-Metereologjik,thotë se Kosova nuk gjendet në një situatë të mirë për shkak të degradimeve natyrore, ndotjeve industriale dhe shkatërrimit të shtretërve të lumenjve.

Prishtina, thotë ai është vendi më i rrezikuar nga këto proceset atmosferike për shkak të shkatërrimit të natyrës.

“Kosova është në një situatë alarmante. Sepse pas përfundimit të luftës, ka një degradim të shumëfishtë të natyrës nga faktori njeri. Mirëpo, orografia e Kosovës ka një specifikë nga shtet e rajonit, për arsye se në aspektin hidrologjik dhe metereologjikKosova është kulmi i Ballkanit. Rreth 99 për qind të lumenjve të Kosovës janë lumenj të shpejtë, të cilët e lëshojnë territorin e vendit tonë, nuk akumulohen, por shkojnë në drejtim të pellgjeve dhe zbrazen në dete”, ka thënë Tahirsylaj.

Kuvendi i Kosovës ka të miratuar Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, që ka për qëllim mbrojtjen dhe shpëtimin e njerëzve, kafshëve, pronave, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera

Në bazë të këtij ligji, shteti është përgjegjës për organizimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera si sistem unik dhe integral shtetëror.

Në Kosovë ekziston Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME)që funksionon në kuadër të Ministrisë se Punëve të Brendshme.

Fadil Kodra, krye shef ekzekutiv në këtë agjenci, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë gatishmëri të plotë në rast të fatkeqësive natyre.

“Reaguesit e parë në këto situata janë zjarrfikësit, pastaj shërbimi mjekësor dhe Policia. Ne jemi të gatshëm, çdo herë që ti dalim në ndihmë qytetarëve në raste të fatkeqësive natyrore”, ka deklaruar Kodra.

Sipas ligjit, në rast të fatkeqësive fillimisht niveli lokal është përgjegjës për zbatimin e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyre dhe fatkeqësitë tjera, thotë Kodra .

“Komunat e kanë përgjegjësinë, por nëse ato nuk mund të menaxhojnë situatën e bëjnë kërkesën në agjenci. Kështu, më pas Agjencia në bazë të situatës i angazhojmë edhe njësitet tjera, si Forcën e Sigurisë se Kosovës apo institucionet tjera”, thotë ai.

Bazuar në ligjin kompetent, për raste të tilla në Kosovë duhet të ketë strehimore dhe objektet tjera për mbrojtje, që ndërtohen me qëllim të mbrojtjes së njerëzve në raste të luftës apo rreziqeve tjera. (REL)

MALI I ZI NA I KA MARRË TERRITORE SA KREJT KOSOVA E SOTME, E PO DON PRAPË?! – Nga Ramiz LUSHAJ

 

Hej, moj Europë antike e moderne, te je kanë e mbete nji hallë mitologjike e stërlashtë dhe tepër e keqe për nipin tand: Ilir (Illyriues – I Lirë Jam), për pasardhësit e tij brezanik si Dardanin (Mbretëria Dardane), Autariatin (Mbretëria Autariate) e të tjerë, po ti, qysh Malin e Zi me katër krahina të vogla Rijeka, Katundi, Cermnica e Leshani dhe me dy konsullata prosllave – atë ruse e frënge, me nji madhësi fillestare territoriale as 1.500 km2, veç në tre shekujt e kaluem (XVIII-XX) e bane principatë, mbretni e shtet republikan me tokat etnike të shqiptarëve pellazgo-ilir-arbnor?!
Mali i Zi – ky “fëmijë i paligjshëm euro-otoman”, me klan ortodoks sllav – i paguar e frymëzuar nga Moska e Beogradi, nga Patriakana Ruse e Serbe, ia ka mbrri të jetë 13.812 km2 sipërfaqe, sepse “e kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km2 në dëm të Shqipërisë… Ne po e sabotonim, po e qethnim territorin e Shqiperisë në dobi të Malit të Zi dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje”- shprehej diplomati D’estornelles de Constand, Senator francez, Nobelist i Paqes (1909), Sekretar i Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë e Malit të Zi (1879-1880).
Sa krejt Kosova e sotme është sipërfaqja tokësore e ujore që Mali i Zi e aneksoi me pushtime e vendime të “Të Mëdhenjve” nga territoret etnike shqiptare në brigjet e Limit e Moraçës, nga bregdeti Adriatik deri në Alpe: me Ulqin e Tivar, me Tuz e Podgoricë, me Plavë-Guci e Rrozhajë, me Kuçin, Vasojeviçët e Palabardhin , me një pjesë të madhe të liqenit të Shkodrës, etj.
Nga trungu etnik i Shqipërisë iu dha Malit të Zi, veçanarisht në Kongresin e Berlinit, në Konferencat e Londrës e të Parisit, mbi 10 mijë km2 territor etnik shqiptar. E jashtëzakonshme. Fatalitet. Kjo sipërfaqe, për nga madhësia, i bie të jetë sa Kosova e sotme. Pra, na e kanë marrë “një Kosovë”(!)
Atëherë çka po i kërkon ende Europa e shek. XXI shtetit të ri të Kosovës që t’i japin prapë sivjet Malit të Zi territore të tjera të reja (82 km2) e krahasimuar kjo, me një sipërfaqe tanësore sa 40 herë Principata e sotme e Monakos.
Çakorr-Pejë, Kosovë. Gusht, 2016.
demarkacioni-1

Maxhuni: Sulmi ndaj Kuvendit dëshmon se ka grupe më të organizuara se policia e FSK-ja

Sulmi ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ishte akt me elemente terroriste.

Kështu e ka cilësuar drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, incidentin ndaj ndërtesës së kuvendit, i cili ndodhi 5 ditë më parë, raporton KTV.

E për këtë incident tashmë ka persona të intervistuar nga policia.

E derisa e quan akt terrorist sulmin ndaj kuvendit, shefi i policisë nuk heziton të krekoset se institucioni, të cilin ai e udhëheq, arriti të parandalonte edhe incidentet terroriste.

Mirëpo, për njërin nga anëtarët e këtij komisioni, arma me të cilën u sulmua Kuvendi dëshmon se ka grupe të organizuara që janë më të përgatitura se policia apo FSK-ja.

Siguria në vend për anëtarin e Nismës, Zafir Berisha, është në nivelin zero dhe institucionet, sipas tij, nuk po e paraqesin gjendjen reale.

Në këtë mbledhje të komisionit morën pjesë edhe anëtarët e komisionit nga AAK-ja dhe Nisma, të cilët tash e një kohë, po i bojkotonin këto takime.

E praninë e tyre ata e arsyetuan me faktin se kanë parasysh gjendjen e krijuar pas incidentit të fundit.

Analistët: Kosova në prag të dhunës politike

Një nga seancat me gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, 26 shkurt 2016

Mungesa e një debati politik, fillimisht në Kuvendin e Kosovës dhe në veçanti kundërshtimet e thella politike ndërmjet pushtetit dhe opozitës, mund ta fusin Kosovën në një cikël dhune, thonë analistët politik në vend.

Këmbëngulja e partive në pushtet dhe atyre në opozitë për të mos lëvizur nga qëndrimet e tyre lidhur me çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, përveç se e ka thelluar krizën politike në Kosovë, po e kërcënon edhe situatën e sigurisë.

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk e beson “që Kosova po futet në një cikël të dhunës politike”, megjithëse e cilësoi “sulmin mbi kuvendin e Kosovës si një atak të rëndë ndaj pavarësisë”.

Debati i organizuar në Kuvendin e Kosovës për çështjen e demarkacionit, sado që uli për herë të parë pas shumë muajsh deputetët e të gjitha forcave politike në një tryezë të përbashkët, megjithatë nuk ndryshoi qëndrimet e palëve dhe as nuk i uli tensionet e krijuara në skenën politike prej shumë muajsh.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, i tha Radios Evropa e Lirë se gjuha e ashpër politike, e përdoruar nga të dy palët, transmeton edhe akte të dhunës.

“Gjuha e ashpër politike pa dyshim se transmetohet edhe në aktet e dhunës, pasi që partitë politike nuk kanë kontroll mbi efektet të cilat i projekton gjuha e tyre tek elektorati dhe mund të ketë edhe akte të dhunës, të cilat vijnë si pasojë e acarimit të gjuhës dhe agresivitetit retorik, i cili është duke u shfaqur këto ditë në skenën politike kosovare”, thotë Muhaxhiri.

Një sulm mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Sulmi ndaj objektit zyrtar erdhi në kohën e krizës më të thellë politike në Kosovë, dhe pas një periudhe disa mujore të kundërshtimeve të ligjvënësve nga opozita ndaj marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Analisti Driton Selmanaj, nga Demokracia Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë se skena politike në Kosovë është më e tensionuar se asnjëherë më parë, ku siç thotë ai, mungon edhe vullneti për të ndërtuar një qasje konstruktive për të ardhmen e vendit.

Sipas tij, kjo situatë politike, e krijuar nga politikanët në Kosovë, krijon hapësirë që të ketë më pas vend edhe për elemente radikale të natyrave të ndryshme.

“Në momentin kur kemi një destabilitet politik dhe institucional,kur kemi një skenë të politizuar, kur kemi një ambient të tensionuar politikisht, hapësira për veprim të çdo grupi radikal, të çfarëdo lloji, edhe që nuk lidhet me temat të cilat kanë krijuar tension, është ambient i përshtatshëm për ata të cilët nuk e duan të mirë e Kosovën apo perspektivën e saj”, thekson Selmanaj.

Partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë, shton Selmanaj, duhet të gjejnë një konsensus politik, në mënyrë që të mos e lejojnë vendin që të futet në një cikël të dhunës, pasi që pastaj pasojat do të jenë të paparashikueshme.

“Situata e fundit, por jo vetëm kjo fundit, por edhe ato që kanë ndodhur më herët, si sulmi ndaj policisë apo sulmi ndaj zyrtarëve publik, apo gazi lotsjellës në Kuvend, duhet të përfundojë dhe të shërbejë si alarm për politikën, që ata të provojnë që çështjet që janë me interes të madh t’i adresojnë me kujdesin maksimal dhe t’i japin zgjidhje politike”, thotë Selmanaj.

Ndërkohë, sulmi ndaj Kuvendi të Kosovës, sipas analistit të çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, është një përpjekje për të destabilizuar vendin dhe se një sulm i tillë nuk duhet të injorohet nga autoritetet e vendit.

“Në aspektin simbolik ky sulm flet shumë, sepse është një sinjal që tregon se duhet të merret seriozisht nga politikanët kosovarë, sepse nuk ka asnjë dyshim se ngjarje të tilla mund të ketë edhe më tej, nëse nuk ka një zbutje të gjuhës së politikanëve, e cila do të ndikonte në qetësimin e situatës dhe tek elektorati i tyre”, shton Muhaxhiri.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më të shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

Xhemshit Krasniqi dënohet me 8 vjet burg për krime lufte

Fotografi arkivi e salles së Gjykatës Themelore të Mitrovicës

Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka dënuar me tetë vjet burg dhe 1500 euro gjobë, Xhemshit Krasniqin për “krime të luftës kundër popullsisë civile” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e dërguar mediave nga EULEX-i.

Misioni Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX ka sqaruar se vendimi është marrë nga një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtar.

“I pandehuri u shpall fajtor për arrestimin, ndalimin e paligjshëm, cenimin e integritetit trupor, të shëndetit dhe torturimin disa dëshmitarëve dhe civilëve të panjohur në kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan (Shqipëri), si edhe në Prizren gjatë vitit 1999. I akuzuari i kreu veprat e tij në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Komunikata sqaron më tej se “me anë të një vendimi të veçantë, atij i është vazhduar paraburgimi deri sa ky aktgjykim ta merr formën e prerë”.

Prokuroria dhe i dënuari tash kanë të drejtë ankese ndaj vendimit.

Anton Quni: Majlinda Kelmendi është fytyra e Kosovës!

Anton Quni ka reaguar pas medaljes të artë që fitoi Majlinda Kelmeni:

Ja se çfarë shrkuan ai në rrjetin social:

Majlinda Kelmendi

“Kjo eshte fytyra e Kosoves dhe shqiptareve historikisht!

Me lote, krenari dhe sakrifice per Atdheun.

Me Majlinden,

fytyra e Atdheut buzeqesh nen çdo lot dhe rrudhe historike!”

majlinda-kelmendi-rio-olympics-judo-kosovo_3760043

Ende nuk dihen autorët e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit

Ende nuk janë zbardhur motivet e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendi të Kosovës dhe autorët e këtij sulmi.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar në mënyrë të vazhdueshme për zbardhjen e sulmit mbi ndërtesën e Kuvendit, që ndodhi ditë më parë.

“Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet, përderisa duke vlerësuar faktet, rrethanat dhe kohën në të cilën ka ndodhur sulmi, përveç trajtimit profesional të dëshmive që janë gjetur, policia ka ofruar edhe një shpërblim prej 10, 000 eurosh për cilindo qytetar që ka sado pak informacione që mund të shpien në kapjen sa më të shpejtë të kryesve të këtij akti kriminal”, thotë Hoxha.

Policia e Kosovës, shton Hoxha, “është e përkushtuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe do të përdorë të gjitha mjetet dhe procedurat e ligjshme për kapjen e kryesve të akteve kriminale”.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç kishte njoftuar Policia e Kosovës, ishte bërë me mortajë dore në lëvizje me motoçikletë nga dy persona, të cilët braktisën mjetin transportues, duke e djegur atë dhe ikën në këmbë në drejtim të panjohur.

Shpërthimi kishte ndodhur në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës.

Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mjete shpërthyese ndodhi pak kohë pasi qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.

Rastet e sulmeve ndaj ndërtesave shtetërore në Kosovë, si dhe të veturave zyrtare, kanë qenë të shumta edhe në të kaluarën.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar para jo më shumë se gjashtë muajsh me koktej molotovi, dhe ende nuk janë zbuluar as motivet dhe as autorët e sulmit.

Ekspertët e fushës së sigurisë vazhdimisht kanë shtruar nevojën e zbardhjes sa më shpejtë të këtyre rasteve, meqë ato krijojnë, siç thonë, frikë dhe pasiguri tek qytetarët e Kosovës. (REL)

Thaçt në Rio, Jasharajt n’Kosovë! – Nga Florim Zeqa

 

Zakonisht në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, krerët e shteteve shoqërohen me bashkëshortet e tyre apo me ndonjë nga figurat markante të shtetit, varësisht prej rendësisë së aktivitetit.

Kreu i shtetit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka udhëtuar në Rio për të marrë pjesë në ceremoninë hapjes së Lojërave Olimpike, megjithatë nuk ka shkuar i vetëm, ai me vete e ka marr edhe djalin e tij, Endritin! Kjo nuk është e keqja më e madhe, krahas pjesëmarrjes së tetë sportistëve kosovar në Rio, “ekspedita” e kosovarëve në Lojërat Olimpike është e përfshirë edhe nga shumë zyrtarë të shtetit që e dhjetëfishojnë këtë shifër.

Mirëpo, në këtë “ekspeditë”, nuk gjenden njerëzit më të merituar, nuk gjenden ata që dhanë më së shumti për Kosovën dhe lirinë e saj. Pjesë e “ekspediës” janë bërë sahanlëpirësit dhe puthadorët e pushtetit, palaçot, servilët, antivlerat sportive, kulturore dhe kombëtare të vendit!

Nëse e marrim për bazë rendësinë historike të pjesmarrjes së Kosovës (për herë të parë si shtet) në Lojërat Olimpike, atëherë përkrah Thaçit në Rio do duhej të ishte jo djali i tij Endriti, por dikush nga pjestarët e familjeve emblematike; Jashari, Rugova, Ramadani, Haradinaj, Çeku, Pajazitaj,…etj! Kjo, edhe një herë e dëshmon keqpërdorimin e pushtetit dhe personalizimin e meritave e të tjerëve nga i pari i shtetit. Hashim Thaçi, për të satën herë po e dëshmon vetën si injorant të rryer dhe bukpërmbysësh njikohësisht.

Presidenti i shtetit tonë po harron, se karrierën politike e filloi pikërisht nga familja Jashari, duke u thirrur në sakrificën e tyre sublime, në gjakun e dëshmorëve të lirisë dhe luftën heroike të ushtrisë së lavdishme çlirimtare (UÇK) për t’u ngritur në majat e pushtetit dhe shtetit. Ashtu sikurse në aktin e rishpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku prezent ishin familja Jashari, edhe në në hapjen e Lojërave Olimpike në Rio do duhej të ishte dikush nga më të merituarit për lirinë e Kosovës.

Sa herë që e ka punën ngusht, nga goja e presidentit ndëgjojmë fjalën “konsensus nacional”, vallë pse të njëjtën gjë nuk e aplikon edhe në ngarjet ceremoniale dhe me vlerë historike për shtetin. Thaçi nuk po e bënë një gjë të tillë ngase frikohet mos po varfërohet nga “meritat” (të cilat nuk i takojnë) për shtetin, në këtë rast të pjesmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike të Rios. Sa do që presidenti mundohet t’u ikë meritave të tij (qoftë edhe duke shkuar në Rio) për katandisjen e shtetit, siq janë; humbja e sovranitetit në veri dhe tkurrja enorme e territorit të vendit në jugpërendim (me Malin e Zi dhe Maqedoninë), moszhvillimi ekonomik dhe kriza e thellë sociale e vendit, mosantarsimi në UNESCO dhe mosliberalizimi i vizave e deri të mosnjohja e Kosovës shtet nga BE dhe OKB,…targën e të cilave pasoja e bartë vet presidenti Thaçi me kompaninë e tij, tashmë të identifikuar me emrin sinjifikativ “Pronto”, të njohur në mbarë Kosovën, trojet shqiptare dhe Diasporë.

Megjithatë, është fat i mirë dhe shpresë për kombin, që familjet e sipërpërmendura emblematike nuk e bartin targën e turpit të grupit “Pronto”. Për fund dua të themë edhe diçka, patriotizmi është vlerë sublime, është vlerësimi i kontributit, meritatave dhe skrificave të gjithë bashkatdhetarëve, gjakut të dëshmorëve dhe ruajtjes së vlerave të lirisë. Populli i nderon dhe i çmon luftetarët e lirisë, ata që dhanë gjymtyrët e trupit për lirinë e vendit, sikurse që i mallkon çdo herë ata që përfituan në emrin e patriotizmit, skarificave dhe gjakut të derdhur për çlirimin e tokave të robëruara nga pushtuesit sllav.

Bisedimet Kosovë-Serbi – tashmë në nivel Presidentësh

Dhjetëra marrëveshje janë arritur deri më tash prej fillimit të bisedimeve teknike e politike me Serbinë, por një pjesë e tyre atëherë s’janë zbatuar. Kjo është njëra prej arsyeve pse Qeveria e Kosovës ka vendosur të kërkojë ndryshimin e formatit të njerëzve që do të bisedojnë. Tash, dialogu Prishtinë-Beograd do ta udhëheqin presidentët e dy Republikave.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri s’do ta ketë më barrën kryesore në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo për shkak se kompetencat e saj do t’i marrë Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi.

Kjo është kërkesa që Kryeministri Isa Mustafa e ka bërë të qartë se nuk do të ketë vazhdim të dialogut në nivelin aktual. Kjo për shkak se s’po kanë rezultatet negociatat që zhvillohen në Bruksel nën udhëheqjen e BE’së dhe mbikëqyrjen e SHBA’së.

” Mendoj se dialogu duhet të fillojë me një format dhe koncept krejtësisht tjetër”, ka paralajmëruar Kryeministri në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë”.

Por, pse po bëhet një veprim i tillë?

Kryeministri jep shpjegimet.

“Sepse kjo çka po duket tani lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, prolongimin e tyre dhe papërgjegjësinë totale të Serbisë lidhur me marrëveshjet që janë nënshkruar, dhe përforcimet e strukturave paralele, flet se dialogu nuk po jep rezultate për të cilat po zhvillohet dhe nuk ka seriozitet të palës serbe sa i përket dialogut”, ka thënë Kryeministri për REL.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se në nivelin tjetër të dialogut me Serbinë do të kërkohet një afat se deri kur do të vazhdojnë takimet pasi s’do të më bisedime pa afat.

“Ne do të bëjmë vërejtje konkrete dhe shumë të adresuara në BE lidhur me këtë gjendje. Ne duhet të profilizojmë saktë dialogun, duhet të kemi një agjendë të qartë të dialogut dhe po ashtu duhet të kemi një afat se për sa ne do të dialogojmë, sepse nuk mund të humbim kohë pakufi me dialog me Serbinë. Po e shohim se nuk ekziston vullneti i palës serbe që të zbatojë marrëveshjet e paketës së dialoguar”, ka shtuar ai.

Deri më tash, bisedimet me Serbinë janë zhvilluar në nivel më të ulëta. Beogradi është paraqitur në nivelin e drejtorëve, ndërsa, Prishtina në nivelin e Ministrave. Vetëm kur janë arritur marrëveshjet ato janë nënshkruar nga Kryeministrat.

Ndërsa, tash, marrëveshjet do t’i nënshkruajnë Presidentët Hashim Thaçi e Tomisllav Nikolic.

Dialogun Kosovë-Serbi e ka kundërshtuar në vazhdimësi Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa, AAK ka qenë krejtësisht e përfshirë prej fillimit në këtë proces përmes Nënkryetarit të Partisë.

Ish Presidenti Sejdiu: Demarkacioni me Malin e Zi nuk ka lidhje me Pakon e Ahtisaarit

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka komentuar në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të kohës së fundit, atë të demarkacionit me Malin e Zi.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje duke përmendur periudhën kur ai ka qenë President, 2006-2010, periudhë kohore kjo kur Sejdiu thotë të jenë zhvilluar bisedimet.

Por, ai thotë se gjatë këtij procesi, “në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues”.

Më tej, ish-kreu i LDK-së dhe ish-Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu, ka komentuar edhe sulmin e mbrëmshëm me predhë ndaj ndërtesë së Kuvendit, rast të cilin ka kërkuar që të zgjidhet sa më parë.

Ky është postimi i tij i plotë:

Të dashur miq,

Tema e demarkacionit e kufirit me Malin e Zi, me peshën dhe ndjesinë e vet, ka rritur në shkallë të lartë shqetësimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmoi edhe debati i mbajtur në Prishtinë më 3 gusht, lidhur më këtë temë, përkundër faktit se ishte jo pak i vonuar. Në të u paraqiten për opinionin publik elemente dhe fakte të reja, për të cilat institucionet e vendit do duhet të kishin vëmendje dhe kujdes duke i trajtuar në mënyre serioze, pa u nxituar dhe pa kapërcyer hapësirën e përgjegjësisë që kanë për të marrë vendime bazuar në dokumentet kryesorë shtetërorë të dhe në dobi të qytetarëve të saj.

Pos tjerash, gjatë debatit është përmendur Pakoja e Ahtisaarit dhe referenca e saj për këtë çështje, duke iu referuar kufijve të Kosovës deri në fund të vitit 1988. Kjo nënkupton, pa asnjë dilemë, pacenueshmërinë e kufijve të Kosovës, të cilët brenda territorit të saj përfshijnë pikat kyçe për të cilat është ngritur debati.

Si President i vendit në vitet 2006- 2010, periudhë kohore kjo kur edhe janë zhvilluar bisedimet, gjatë të cilit proces në asnjë rast nuk është kërkuar ndonjë hartë e Kosovës dhe as që është ngritur ky problem, që do nënkuptuar se as që ka pasur nevojë, pasi kjo hapësirë dhe kufijtë në këtë pjesë të vendit, nuk janë konsideruar të jenë kontestues.

Dihet botërisht se nuk ka pasur harta të tjera nga ato qe kanë përshkruar kufijtë e Kosovës, të cilët kanë qenë të sanksionuar edhe me Kushtetutën e vendit.

Nga Ekipi i Ahtisaarit, e di se janë kërkuar kufijtë e komunave të Kosovës, në pjesë të hapësirave, në të cilat janë formuar komunat e reja me shumicë serbe.

Këto komuna të reja të formuara më vonë nuk lidhen me hapësirat dhe brezin kufitar me Malin e Zi, për të cilin po bisedohet.

Janë momente tepër jetike për shtetin dhe shoqërinë tonë që kjo çështje të trajtohet dhe zgjidhet me urti, duke u mbështetur në faktet e qëndrueshme, shumë prej të cilave qytetarët e Kosovës kishin rastin t’i shohin gjatë debatit që u zhvillua më 3 gusht në Prishtinë.

Karshi kësaj, gjuajtja e mbrëmshme e ndërtesës së Kuvendit të Republikës, është absolutisht e papranueshme dhe e pajustifikueshme. Është tepër me urgjencë që organet e hetuesisë sa më parë të gjejnë akterët e këtij veprimi kriminal dhe të tillët të vihen para drejtësisë.

Është në përgjegjësinë i institucioneve të vendit dhe gjithë spektrit politik të tij – pozitë dhe opozitë të angazhohen për ç’tensionimin e kësaj situate në të cilën gjendet vendi dhe po kështu të ulen me përkushtim për të trajtuar problemet që i ka vendi.

Rruga e dialogut është e paalternativë.

Mallkimi i rradhës i Aktorit të famshëm Çun Lajçi: kësaj here aktori i njohur mallkon kryeministrin. Ja çfarë thotë ai!

Voal – Me të mallku Çun Lajçi e ke mbush kupën.

Aktori i mirënjohur Çun Lajçi ka kritikuar kryeministrin Isa Mustafa në lidhje me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Lajçi me anë të postimi në ‘Facebook’ ka shkruar se tokat e Kosovës po i falen Malit të Zi.

Postimi i plotë Lajçit:

“Z.Kryeministër Isa Mustafa

Për shtatdhjetë vitet e mia mbaj mend ta kemi mallkue Ali Shukriun që ia dha Serbisë Preshevë-Medvegjë-Bujanov.

Tani për 70 vitet e ardhshme do të mallkohesh Ti që po ia fal Malit Zi Zhlebin, Moknat e Çakorrin.

Çka do t’falim mbas 70 viteve dhe kush do të jetë ai faqezi si Ju të dy!

Por Aliu paska qenë pak ma i mirë se Ti, se bani tramp me shkijet e Leposaviqit e Zubin Potokut të cilëve sot e kësaj dite ua pamë sherrin.

Po Ti çka fitove ?

Spo flas fjalë t’mëdhaja pos po ta përkujtoj kangën…

” t’zezen tande me nji parë pishtole”

Tash ik ma shpejt e strehohu të Ali Shukriu!”


Send this to a friend