VOAL

VOAL

BQK: Pagesat në Kosovë do të kryhen vetëm me euro

Kartëmonedha prej 100 dinarësh serb dhe kartëmonedha të valutës euro. Fotografi ilustruese.

 

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 35 të kësaj rregulloreje.

Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia atje përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë. Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët përdoren në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat joeuro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por këmbimi, sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim.

Deri tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë. Llogari në dinarë ka edhe në bankat “Postanska stedionica” (Kursimore e Postes) dhe “NLB Komercijalna banka”.

Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.

Në rregulloren e BQK-së thuhet se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë është e drejtë ekzekutive e saj.

Më herët, çështjen e transaksioneve me valuta joeuro e ka ngritur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se Kosova do t’i ndalë transaksionet me dinarë.

Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar për këtë çështje.

Ndërkaq, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë për televizionin serb, Pink, se për përdorimin e dinarit në Kosovë ka biseduar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe për këtë çështje e ka njoftuar Brukselin. rel

Zëvendëskryeministri Bislimi mirëpriti deputetin Shaip Kamberi

Prishtinë, 17 janar 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.

Temë e diskutimit ishin zhvillimet aktuale me theks të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bashkëpunimi i vazhdueshëm është i rëndësishëm për adresimin e shtypjes e diskriminimit sistematik me të cilin ballafaqohen bashkatdhetarët tanë.

Përkushtimi dhe angazhimi i qeverisë vijon të jetë produktiv edhe gjatë këtij viti ku kemi ndarë 3 milionë euro nga buxheti i shtetit për Luginën, mbështetje financiare kjo më e madhe për 50%, një milion më shumë sesa viti 2023, me qëllim mbështetjen e pakusht në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, traditave, kulturës e gjuhës.- Zyra e Kryeministrit

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut duke nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të kësaj komune. 17 janar 2024.

Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar. Mbledhja e nënshkrimeve ka nisur në orën 09:00.

Qytetarët e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë në Mitrovicë të Veriut thanë se vendimi i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve lokale – që u mbajtën prillin e vitit të kaluar – megjithatë, ishte i gabuar.

Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, në Mitrovicë të Veriut ka interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.

Lista Serbe, e organizuar për nënshkrimin e peticionit

Në vendet ku po grumbullohen nënshkrimet e qytetarëve ishin të pranishëm përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Sipas gazetarëve REL-it, në krye të radhëve të gjata të qytetarëve në Mitrovicë të Veriut ishte kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek. Aty u panë edhe zyrtarët e kësaj partie, Igor Simiq dhe Millan Radojeviq, ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut. Po ashtu, i pranishëm ishte edhe Goran Rakiq, ish-udhëheqësi i Listës Serbe, i cili ishte në listën e kandidatëve nga radhët e Partisë Progresive Serbe (SNS) për deputetë në Kuvendin e Serbisë.

Reporteri REL-it raportoi se në Leposaviq, në vendin ku po mblidhen nënshkrimet për peticionin, ishte i pranishëm edhe Zoran Todiq nga Lista Serbe, i cili më parë ka udhëhequr këtë komunë.

Lista Serbe kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar.

Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.

Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Thirrje për nënshkrimin e peticionit

Në Mitrovicë të Veriut, peticioni po mbahet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Ndërkaq në Leposaviq, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviq, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.

Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.

Ajo ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.

Sipas disa burimeve të Radios Evropa e Lirë, mesazhe me thirrje të tilla për nënshkrimin e peticionit u janë dërguar punëtorëve të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut, mësimdhënësve, punëtorëve të institucioneve komunale që punojnë sipas sistemit serb, si dhe atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës më 2022, por që tani paguhen nga buxheti i Serbisë.

Punonjës të institucioneve të ndryshme në Mitrovicë të Veriut pritet që të shkojnë të organizuar në sallën e sportit për të nënshkruar peticionin. Në rrjetet sociale u është bërë thirrje punonjësve që ata në orën 09:00 të jenë atje.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.

Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve pritet të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.

Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.

Qytetarët në Leposaviq duke nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit të kësaj komune. 17 janar 2024

Qytetarët në Leposaviq duke nënshkruar peticionin për largimin e kryetarit të kësaj komune. 17 janar 2024

Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.

Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.

Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.

E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.

Baza ligjore për largimin e kryetarëve të komunave

Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.

Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Hasani: Siguria e qëndrueshmëria në Ballkan më të kërcënuarat në dekadën e fundit

VOA/Leonat Shehu

Ministri i Jashtëm shqiptar Igli Hasani tha të martën në Prishtinë se siguria dhe qëndrueshmëria në Ballkanin perëndimor janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit, ndërsa i kërkoi Sëerbisë t’i jap fund dërgimit të ushtrisë së saj në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon dhe i ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufijtë e Republikës së Kosovës. Bëjmë thirrje aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri, pra askush nuk duhet të vazhdojë këtë lojë që është qesharake, se gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin e sovranitetin e Kosovës është NATO-ja ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha ai.

Ministri Hasani i cili takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, tha se rajoni është duke kaluar një periudhë të vështirë.

“Ne e kemi dënuar ashpër sulmin e dhunshëm të orkestruar dhe armatosur kundër policisë së Republikës së Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të vendit. Ky sulm ishte një akt kriminal dhe rrezikshëm terrorist kundër stabilitetit, integritetit, pavarësisë, ligjit dhe rendit Kosovës. Sulmi ishte kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë më pasoja të drejtpërdrejta për Evropën tonë të përbashkët. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha ai.

Ministri Hasani përshëndeti gatishmërinë e Kosovës për të nënshkruar të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë pa kushte, ndërsa i bëri thirrje diplomacisë perëndimore që të nxisë përparimin në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se tashmë është radha e ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian që ta ulin Serbinë në tryezën e bisedimeve me një qasje konstruktive për të nënshkruar marrëveshjet.

“Bashkimi Evropian duhet të mendojë mirë se cila është rrugë në të ardhmen, si do veprojë jo vetëm me marrëveshjet e ndryshme mes Kosovës dhe Serbisë, por cila është perspektiva e vitit 2024. Do të vazhdojë BE-ja me ledhatimin e Serbisë, me injorimin e rrezikut real që nga vjen nga Serbia jo vetëm për Kosovën por edhe shtetet tjera në rajon, apo do të ketë një ndryshim në qasje”, tha ministrja Gërvalla.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç përgjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Zoti Lajçak publikoi në rrjetet sociale njoftimin për një takim ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Jim O’Brien, për të diskutuar zhvillimet në rajonin e Ballkanit. “Ne duam të shohim rajonin duke ecur përpara për të mirën e qytetarëve të tyre. Është mirë të rikonfirmojmë se jemi plotësisht në të njëjtën vijë”, shkroi zoti Lajçak në rrjetet sociale.

Diplomatët perëndimor presin nga qeveria e Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa nga qeveria e Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës. Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës.

Bashkimi Evropian ka theksuar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se Komisioni Evropian po punon për të përfshirë zbatimin e saj në kuadrin e negociatave të Serbisë për anëtarësim në bllok dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.

Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe i FSK-së mund të udhëtojnë pa viza drejt Mbretërisë së Bashkuar

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se sot është njoftuar nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes, për vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas Maqedoncit, ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimit të Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar, raporton Klan Kosova.

“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetëndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti. Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë”, ka shkruar Maqedonci.

‘Masakra e Reçakut’- Kurti priti Ambasadorin William Walker: Rol historik në dokumentimin e krimeve të luftës nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në zyrë Ambasadorin William Walker në prag të 25 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

‘I jemi falënderues përherë Ambasadorit për rolin e tij historik e të pazëvendësueshëm në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, për të vërtetën, për dokumentimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës’, shkruan Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, mirëprita në kryeministri Ambasadorin William Walker.

Shkëmbyem kujtime prej 26 viteve që kur që jemi takuar për herë të parë. Kënaqësi t’i dëgjoj vlerësimet e Ambasadorit për zhvillimin e Kosovës si shtet dhe arritjet tona në vitet e fundit, si një nga vendet më demokratike në Evropë.

Me neve ishte edhe Atdhe Hetemi, Drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Bashkë me të, sikurse secili qytetar, i jemi falënderues përherë Ambasadorit për rolin e tij historik e të pazëvendësueshëm në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, për të vërtetën, për dokumentimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Sivjet, kur do ta festojmë një çerek shekull prej çlirimit të Kosovës, shprehim si çdo vit mirënjohjen tonë për të gjithë që kanë kontribuar duke dhënë nga vetja e më së shumti ata e ato që sakrifikuan veten.

Sveçla: Të gjitha patrullat policore do të pajisen me armë të gjata

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke inspektuar armët e reja të blera për zyrtarët policorë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata.

“Me blerjen e këtyre armëve për të gjitha patrullat policore anekënd Republikës së Kosovës rritet efikasiteti në luftimin e krimit me çka mundësohet një ambient më i sigurt, rend publik më i qetë dhe më shumë siguri për zyrtarët tanë policorë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Megjithatë, ministri i Brendshëm nuk bëri të ditur se për sa armë të blera bëhet fjalë, por ai vetëm falënderoi Kroacinë “për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrekt me institucionet e Republikës së Kosovës”.

Buxheti i Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë vit është buxheti më i madh në vitet e fundit, dhe kap vlerën prej 216.523.467 eurosh.

Policia e Kosovës është formuar 24 vjet më parë dhe numëron mbi 9.000 pjesëtarë, të cilët kanë grada të ndryshme. Policia është reaguesja e parë e sigurisë në Kosovë dhe më pas vjen misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

Për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është përgjegjës KFOR-i, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare Policia e Kosovës.

Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Procesi i miratimit të këtyre armëve për Kosovën duhet të marrë pëlqimin e Kongresit amerikan.rel

Ambasadori gjerman në Kosovë: Kurti dhe Vuçiçi do jenë javën tjetër në Zvicër

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jorn Rohde, ka bërë të ditur se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të jenë pjesë e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në Zvicër.

“Forumi Ekonomik Botëror në Davosit do të nisë javën tjetër. Nga të gjitha temat relevante, “Arritja e sigurisë dhe bashkëpunimit në një botë të ndarë”, në veçanti reflekton për Kosovën, dialogun Kosovë – Serbi dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. I kënaqur që shoh se Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç do të jenë prezent”, ka shkruar Rohde në X.

Forumi në Davos do të mbahet nga 15-19 janar.

Nuk dihet nëse do të ketë ndonjë takim bilateral mes kryeministrit, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.sn

Raketat ‘Javelin’ të FSK-së do të godasin tanke deri në 4 mijë metra larg

Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës. Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë. Ajo rrallë e huq objektivin. Vepron në një distancë nga 65 deri në 4 mijë metra. Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë

Raketat amerikane antitank “Javelin” së shpejti pritet të jenë pjesë e armatimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e Kosovës për blerjen e këtyre raketave, e cila, sipas procedurës, do të përcillet në Kongresin amerikan për miratim.

Raketa “Javelin” është sistem antitank i prodhuar për ushtrinë amerikane. Prodhimi ka nisur në vitin 1996, ndërsa për herë të parë në fushën e betejës është përdorur në Irak e Afganistan më 2003.

Për publikun e gjerë ky lloj armatimi u bë i njohur pas agresionit rus në Ukrainë. Ushtria ukrainase i ka përdorur këto raketa për shkatërrimin e automjeteve të blinduara ruse, që hynë në territorin e saj.

Falë teknologjisë, ky sistem raketor drejtohet automatikisht drejt objektivit pas lëshimit. Ushtarët mund të ripozicionohen menjëherë dhe të përgatiten për hedhjen e radhës.

Raketa ka aftësi të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë. Ajo rrallë e huq objektivin. Vepron në një distancë nga 65 metra deri në 4 mijë metra.

Një raketë “Javelin” kushton rreth 180 mijë dollarë.

Deri tash janë prodhuar afro 38 mijë raketa të tilla. Rreth 20-25 mijë prej tyre janë përdorur në luftëra apo aksione të ndryshme, pjesa tjetër për testime e stërvitje.

Në vitin 2022 edhe Qeveria e Shqipërisë konfirmoi blerjen e raketave “Javelin”.

Me buxhetin e Kosovës për vitin 2024 janë paraparë 153 milionë euro për FSK-në apo 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak. E, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, konfirmoi se 3 vjetët e fundit janë prokuruar pajisje ushtarake në vlerë të 239 milionë eurove.

Vitin e kaluar FSK-ja ka blerë edhe dronë “Bajraktar TB2” nga Turqia. Në korrik, gjashtë sish i janë shtuar arsenalit luftarak të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar të dielën në Facebook fotografi të dronëve, që sipas burimeve të KOHËS kanë mbërritur në Kosovë gjatë muajit maj.

Edhe këta dronë i sollën jo pak dëme ushtrisë ruse, gjatë pushtimit të Ukrainës. Ata janë efektivë për të survejuar dhe kanë shkallë të lartë preciziteti për të sulmuar objektiva, qofshin ato tanke apo mjete të tjera luftarake.

“Bayraktarët” u kthyen në sensacion në 2020-n, kur u përdorën në luftën në Nagorno-Karbakh mes Azerbaixhanit dhe Armenisë. Forcat azere të pajisur me këta dronë nga aleati i tyre Turqia i shkaktuan dëme të shumta ushtrisë armene. Sulmet xhiroheshin nga kjo fluturake dhe më pas postoheshin në rrjete sociale, siç po ndodh edhe në Ukrainë.

Droni “Bayraktar” është vetëm 6.5 metra i gjatë, me një hapje krahësh prej 12 metrash dhe ka një motor me 100 kuaj fuqi. Shpejtësia maksimale e tij është 220 kilometra në orë dhe është në gjendje të mbajë një sërë armësh vdekjeprurëse nga arsenali turk. Bayraktar fluturon kryesisht në një lartësi prej 5 mijë metrash. Mund të qëndrojë në ajër deri në 24 orë.

Llogaritet që vlera e një droni të tillë është 5 milionë euro, gjashtëfish më e lirë se e atyre amerikanë “Reaper”.

Zëvendësministri i Mbrojtjes për sasinë e raketave: Në varësi prej nevojave do të jetë edhe blerja

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka folur për porositjen e antitankëve “Javelin” që Kosova e ka bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Syla tha se është momenti në të cilin ShBA-ja ta aprovojë kërkesën dhe janë bashkë me Kosovën që ushtria e kësaj të fundit të pajiset me këtë antitank.

“Ne, varësisht prej vlerësimit të rreziqeve, varësisht prej planit, programit dhe asaj platformës sonë e marrim edhe sasinë. Nuk është e përcaktuar, por varësisht sa janë nevojat në këtë drejtim, ne bëjmë analizë për të bërë blerjet më vonë”.

“Ne jemi duke trajnuar dhe shkolluar ushtarë dhe ushtarakë në të gjitha shkollat më ta avancuara të NATO-s dhe të gjitha këto janë ato të cilat na i pajisin me dije dhe kapacitete ushtarakët tanë”, tha Syla në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, Syla tha se Kosova posedon edhe sisteme të tjera të armatimit, teksa shtoi se ushtarët e Kosovës po përgatiten për çfarëdo sistemi të armatimit që duhet të disponojnë në radhët e tyre.

“Ne jemi duke biseduar në vazhdimësi me ShBA-në, Anglinë, Gjermaninë e Turqinë dhe njëkohësisht duke blerë pajisje të cilat i përshtaten projekteve tona që ne i kemi bërë më herët”, tha ai.

Kurti thotë se Asociacioni nuk është prioritet për normalizim raportesh me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është top prioriteti për normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë – por Marrëveshja bazë mes dy vendeve.

Kurti i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili, teksa po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, tha se Asociacioni duhet të formohet, por jo duke krijuar një mikro-shtet brenda Kosovës.

Pas takimit me kryeministrin irlandez, më 11 janar, Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.

“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, derisa shtoi se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”. Për këtë, ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.

“Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.

Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.

Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.

Ai sugjeroi që ta shkruajë në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe atë të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.

Më pas, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina duhet të shkruajë një statut në bashkëpunim me SHBA-në.

Bashkimi Evropian kishte thënë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draft-propozim për formimin e Asociacionit dhe se tani pret që ajo të ndërmarrë hapa konkret.

Te enjten, në Prishtinë, Kurti tha se “kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë por të mos ngatërrojmë hierakrinë e gjerave: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për asociacionin”.

Ndërkaq, homologu irlandez i Kurtit tha se themelimi i Asociacionit “duhet të bëhet edhe në koordinim me [komunat veriore të Kosovës], dhe nuk dua të shoh që të kemi një mikro-shtet të krijuar brenda Kosovës, kjo nuk do të ishte diçka e dobishme për të ardhmen”, tha ai.

 

Udhëheqësi irlandez ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për zhvillim të mëtejmë të vendeve.

Varadkar ka thënë, po ashtu, se është e rëndësishme që “stabiliteti të konsolidohet në Kosovë”, duke shtuar se nuk dëshiron të shohë “kthim të skenave të dhunshme si ato në maj dhe në shtator”.

Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.

“Kryeministri Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe më shumë endje do ta përkrah Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet, dhe të fillojmë edhe procesin e negociatave me Bashkimin evropian për anëtarësim edhe atje”, tha ai.

Varadkar tha se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen.

Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.rel

Emiratet e Bashkuara Arabe heqin vizat për Kosovën, Osmani falënderon Sheikun Bin Zayed që ka pranuar propozimin e saj

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar se Emiratet e Bashkuara Arabe ia kanë hequr vizat për Kosovës.

Lajmin ajo e ka dhënë nëpërmjet platfomës X shoqëruar me disa foto gjatë takimit që kishte me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed.

Sipas Osmanit, marrëveshja është arritur gjatë një takimi që pati me homologun e saj arab muajin e kaluar.

“Falënderoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Bin Zayed për pranimin e propozimit tim për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Marrëveshja e arritur gjatë takimit tonë muajin e kaluar tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugën për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani në platformën X.

Serbia vazhdon të arrestojë shtetas të Kosovës me akuza për krime lufte

Bekim Bislimi, Iva Martinoviq

Beogradi zyrtar nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesave të Kosovës për lirimin e qytetarëve të saj, të cilët u arrestuan nga autoritetet në Serbi me akuza për krime lufte në fund të viteve ’90.

Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), është qytetar i Kosovës, i fundit që u arrestua në Serbi. Atij, më 6 janar, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Më 10 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia “vazhdon rrugëtimin drejt metodave të [presidentit rus, Vladimir] Putinit” dhe se arrestimet e qytetarëve të Kosovës janë “të qëllimshme dhe të padrejta”.

Përveç Dakajt, në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar edhe dy shtetas të tjerë të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë (REL) lidhur me kërkesat e autoriteteve të Kosovës për ekstradimin e qytetarëve të saj dhe bashkëpunimin me Kosovën, në bazë të Marrëveshjes së ndihmës së ndërsjellë juridike që të dyja palët e nënshkruan në vitin 2013, në Bruksel.

Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) – organizatë joqeveritare në Serbi – thotë se në raste të tilla, Serbia duhet t’ia dorëzojë të gjitha provat vendit, shtetasi i të cilit është arrestuar.

“Serbia nuk e njeh Kosovën, prandaj ai lloj bashkëpunimi nuk ekziston me prokurorinë atje, edhe pse, më herët, së paku ka pasur bashkëpunim teknik me misionin [e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë] EULEX”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i Kosovës paralajmëron për rrezikun e mundshëm të arrestimit për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së, prandaj i këshillon ata që të shmangin udhëtimet nëpër Serbi.

Çfarë thonë në Beograd?

Hasan Dakaj dhe vëllai i tij Xhaviti u arrestuan nga autoritetet serbe më 5 janar, pasi kishin hyrë në Serbi përmes pikës kufitare Merdarë nga Kosova.

Xhaviti, pas ndalimit, u lirua. Ndërkaq, Gjykata e Lartë në Beograd, më 6 janar, ia caktoi Hasan Dakajt masën e paraburgimit prej një muaji, siç iu tha REL-it nga kjo gjykatë, për shkak të rrezikut të arratisjes.

Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë si bashkëfajtor për krime lufte kundër popullatës civile.

Prokuroria nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se për çfarë krimi bëhet fjalë dhe për çfarë saktësisht akuzohet Dakaj.

Përfaqësuesi ligjor i familjes Dakaj, Xhevdet Smakiqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Hasan Dakaj akuzohet sipas nenit 142 të Kodit Penal të ish-Jugosllavisë – për krime lufte, heqje lirie të personave joshqiptarë, rrahje, torturë dhe vrasje.

Smakiqi po ashtu deklaroi se autoritetet serbe pretendojnë se këto krime janë kryer në rrethinën e Prizrenit.

Sipas Smakiqit, Dakaj i ka mohuar kategorikisht akuzat para organeve gjyqësore të Serbisë.

“Ai nuk ka vepruar fare në ato lokalitete dhe ndihet krejtësisht i pafajshëm. Ne e konsiderojmë këtë një burgosje politike. Prokuroria nuk ka identifikuar se kë kërkon, e as dëshmitarët që pretendojnë se do të identifikojnë një person 19-vjeçar, i cili tani është rreth 50 vjeç”, tha Smakiqi.

Dakaj ndodhet në paraburgim në Beograd.

Atij i është caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare, me të cilin REL-i nuk arriti të kontaktojë.

Çfarë thonë në Kosovë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës.

“Hasan Dakaj, edhe sot vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë dhe as nuk paraqet një rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, theksoi Kurti, më 10 janar.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, e ka vizituar të mërkurën, më 10 janar, Hasan Dakajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për krime të luft; të Beogradit, ku ai është duke u mbajtur.

“Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri më tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij”, u tha në njoftimin e MPJD-së së Kosovës.

Në njoftim, gjithashtu u tha se gjatë vizitës që i është bërë Dakajt, ai ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë “për gjoja krime të luftës kundër popullsisë joshqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999”.

Të mërkurën, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, deklaroi se ministria që ajo drejton është në kontakt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila ka informacione për Dakajn dhe po mbikëqyrë gjendjen e tij.

Haxhiu i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t’i bëjë më shumë presion Serbisë, dhe “të mos i injorojë veprimet e tilla që Serbia i bën në vazhdimësi”.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë më herët se lidhur me rastin e kanë njoftuar zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

“Kjo nuk është hera e parë që qytetarët tanë keqtrajtohen, arrestohen dhe mbahen me vite në burgjet serbe, përkundër përpjekjeve tona për të krijuar bashkëpunim juridik ndërkombëtar për çështje të tilla”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

Ajo theksoi se Petrit Dula, i cili e ka vuajtur dënimin në Serbi, është dënuar padrejtësisht, ndërkaq Nezir Mehmetajt mbahet ende në paraburgim, pa asnjë bazë.

Kosova më herët ka kërkuar ekstradimin e Dulës dhe Mehmetajt nga Serbia, por përgjigja nuk është kthyer asnjëherë.

Kush dhe pse u arrestua nga Serbia?

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, janë arrestuar katër persona në kufirin e Serbisë me Kosovën, të cilët janë gjykuar për krime lufte.

Në prill të vitit 2012, Mark Kashnjeti u arrestua dhe u gjykua për krime kundër civilëve në Prizren të Kosovës.

Kashnjeti u lirua nga akuzat.

“Gjykata konstatoi se provat, të cilave u referohej gjykata e shkallës së parë, nuk tregojnë me siguri të mjaftueshme se i pandehuri ka ndërmarrë veprimet e inkriminuara, për të cilat akuzohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Në vitin 2018, Ramadan Maloku u arrestua dhe u akuzua për një krim në Nerodimen e Epërme në komunën e Ferizajt.

Duke pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mars të vitit 2019, ai u dënua me një vit e gjysmë burgim.

“Ashtu si në aktgjykimet e tjera, me të cilat konfirmohen marrëveshjet për pranimin e fajësisë, gjykata në vend që të shpjegojë aktgjykimin sipas rregullores, ajo vetëm i rendit nenet e Ligjit për procedurë penale dhe në fakt, nuk e dimë se mbi çfarë baze është marrë vendimi”, thotë Jovana Kollariq.

Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Lartë në Beograd e shpalli Petrit Dulën fajtor për krime lufte në një fshat afër Gjakovës, në vitin 1999, ndërsa ai ishte pjesëtar i UÇK-së.

Më pas, Dula u lirua nga akuzat në prill të vitit 2023.

Në Beograd, ai kreu dënimin e gjykatës së shkallës së parë, prej dy vjet burgim.
Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga autoritetet serbe në janar të vitit 2020, në pikën kufitare Merdarë, është ende në paraburgim në Serbi.

Ai akuzohet se ka marrë pjesë në krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të komunës së Klinës, në Kosovë, në vitin 1999.

Prokuroria e Serbisë ngriti një aktakuzë kundër tij në korrik të vitit 2020, ndërkaq gjykimi filloi në prill të vitit 2021.

Valon Mehmetaj, vëllai i Nezir Mehmetajt, thotë për Radion Evropa e Lirë se seanca e fundit është mbajtur më 14 dhjetor 2023, ndërsa seanca e radhës pritet në fund të shkurtit të vitit 2024.

“Gjykimi po mbahet, por nuk kanë fakte. Vetëm po ja vazhdojnë paraburgimin”, thotë Mehmetaj.

Ai shton se Neziri është vizituar në burg nga fëmijët e tij, por jo nga ai dhe vëllezërit tjerë.

“Gjithmonë kemi dyshimin se mos po biem në grackë”, thotë Valon Neziraj, duke iu referuar mundësisë së arrestimit edhe të tyre eventual nga autoritetet serbe.

Ai vlerëson se mbajtja e vëllait të tij në paraburgim për katër vjet është “mohim i çdo të drejte njerëzore”.

Prokuroria për krime të luftës e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it lidhur me procedurën ndaj Mehmetajt.

“Gjyqi u shty shumë herë për shkak të mosardhjes së dëshmitarëve ose pamundësisë për qasje. Po ashtu, për shkak të ndërrimit të kryetarit të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor në këtë rast ka filluar sërish në qershor të vitit 2023”, thotë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Ajo shton se për tre vjet Prokuroria ka insistuar që të merret në pyetje një dëshmitar i mbrojtur, praninë e të cilit nuk është në gjendje ta sigurojë dhe gjykata e toleroi një sjellje të tillë, ndonëse vetë dëshmitari në disa raste i tha gjykatës se nuk dëshiron të dëshmojë.

Gjithashtu, në vitin 2016, Nehat Thaçi, ish-komandanti i policisë për Mitrovicën, u arrestua për herë të parë dhe u lirua në bazë të një urdhërarrestimi të lëshuar nga Gjykata e Lartë e Nishit për terrorizëm.

Në të njëjtën ditë që u lirua ai, u arrestua Hilmi Kelmendi, me akuzën për krime lufte, por prokuroria hoqi dorë nga ndjekja dhe pas disa ditësh, ai u lirua.

Rrezik arrestimi për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë thonë se Hasan Dakaj dhe Nezir Mehmetaj, aktualisht janë dy qytetarët e vetëm të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim në Serbi.

Behxhet Shala nga ky këshill thekson se rreziku i arrestimit në Serbi ekziston për të gjithë ish-pjesëtarët e UÇK-së.

“Ka mundur Serbia, që thjesht të marrë emrat që i duhen asaj ose të kopjojë listën e veteranëve [të UÇK-së] dhe ta fusë në databazat e saj. Në bazë të asaj liste të veteranëve, secilin prej tyre në listë, nëse kanë interes ose mundësi, do ta arrestojnë”, thotë Shala.

Ai këshillon që të gjithë ata ta shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë.

Shala konsideron se arrestimet e shqiptarëve në kufi me Serbinë, pritet të intensifikohen.

“Arrestimi i shqiptarëve do të intensifikohet si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të serbëve [nga autoritetet kosovare] apo ngritjes së aktakuzave për krime të luftës në Kosovë. Kjo është thjesht si kundërpërgjigje”, thekson Shala.

Gjatë vitit 2023, Prokuroria Speciale e Kosovë ka ngritur 15 aktakuza për krime lufte. Tetë prej tyre parashohin gjykimin në mungesë.

Cila është zgjidhja?

“Zgjidhja për situata të tilla sigurisht që do të ishte ekzistenca e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes nënshkrimit të një protokolli për bashkëpunim ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Jovana Kollariq nga FDH-ja.

Në vitin 2013, në Bruksel, Serbia dhe Kosova arritën Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ajo parasheh që të dy vendet të shkëmbejnë kërkesat gjyqësore përmes përfaqësuesve të BE-së.

Sipas marrëveshjes, Kosova fillimisht paraqet kërkesë në Zyrën e BE-së në Kosovë, prej nga bartet në Zyrën e BE-së në Serbi dhe prej aty në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë.

Përgjigja përcillet në të njëjtën mënyrë.

Sipas të dhënave të Institutit të Kosovës për Drejtësi, i cili monitoron punën e gjykatave në vend, Serbia nuk ka bashkëpunuar në asnjë rast lidhur me krimet e luftës.

Lidhur me arrestimet e mëhershme të qytetarëve të Kosovës, Bashkimi Evropian ka thënë se “në rastet e ndjekjes penale, prioritet duhet t’u jepet gjykatave të vendbanimeve, në Kosovë apo në Serbi”.

Azem Vllasi: Nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi, veriu do të përdoret për tension

Njohësi i rrethanave politike, Azem Vllasi, në një intervistë për “Lajmet e Fundit” të RTK-së ka deklaruar se nuk beson në idenë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë mendoj se marrëveshje përfundimtare nuk do të ketë për arsye se përderisa Serbia vazhdimisht përsërit se Kosova është pjesë e Serbisë, është shtet i ashtuquajtur. Në këto rrethana marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve nuk mund të ketë”, ka deklaruar Vllasi.

Tutje ai ka thënë se ndërkombëtarët duhet të tregohen seriozë me presion ndaj Serbisë sepse nuk është në interesin e Kosovës shtyerja e dialogut.

“Vuçiqi dhe pushteti i Serbisë veriun e shfrytëzon vetëm për ngritje tensionesh dhe e akuzon vazhdimisht Kosovën se po i malltreton serbët gjithandej, e posaçërisht në veri”, ka thënë ai për RTK-në.

Bislimi: Spanja njeh pasaportat e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë, pasi Madridi zyrtar tashmë i njeh pasaportat e Kosovës.

Përmes një njoftimi në Facebook, Bislimi tha se ky lajm është kumtuar nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Bashkimit Evropian.

“Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, shkroi Bislimi.

Qytetarët e Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, nga 1 janari po mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen me 27 anëtarë, pasi hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, udhëtimi pa viza fillimisht nuk ishte i mundur në Spanjë.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.

MPJD kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për lirimin e një kosovari të arrestuar në Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka dënuar, siç tha, ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për lirimin e tyre.

Përmes një njoftimi për media, MPJD mbrëmjen e 5 janarit bëri të ditur se autoritetet në Serbi kanë arrestuar dy qytetarë të Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka.

Kjo ministri tha se Xhavit Daka tashmë është liruar.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, u tha në njoftim, pa dhënë detaje se për çfarë arsye është arrestuar Daka.

Autoritetet në Kosovë thanë se për rastin kanë njoftuar zyrën e Bashkimit Evropian në Serbi si dhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe.

MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë zyrtare tek autoritetet serbe që udhëheqësi i kësaj zyreje, Jetish Jashari, të mund të vizitojë Hasan Dakën dhe të njoftohet për trajtimin që po i bëhet nga organet serbe.

“Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, u tha në njoftim.

Edhe në të kaluarën, qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe. Një nga ta, Nezir Mehmetaj ishte arrestuar në janar të vitit 2020 në pikën kufitare në Merdarë nën dyshimet se ka kryer krime lufte më 1999 në Rudicë të Klinës. Që nga arrestimi, ai gjendet në paraburgim në Beograd.REL

Kurti për targat: Jeta e njerëzve lehtësohet me respekt të ndërsjellë të sovranitetit, jo me agresion

Kryeministri Albin Kurti pas njoftimit në Facebook ka shkruar në gjuhën angleze edhe në platformën X për vendimin e mbrëmshëm për të lejuar automjetet me targa serbe në Kosovë.

“Respektimi i sovranitetit të njëri-tjetrit është çelësi për ta bërë jetën më të lehtë të njerëzve në vend të preteksteve për agresion. Qeveria jonë ka marrë vendimin reciprok të qeverisë së Serbisë, duke lejuar hyrjen e targave serbe në Kosovë pa afishe, ashtu siç hyjnë lirisht targat e Kosovës në Serbi”, ka shkruar Kurti.

Qeveria e Kosovës mbrëmë në një mbledhje elektronike tha se shfuqizimi i vendimit për ‘stickers’ nga ana e saj “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

Vendimi do të hyjë në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare.

Kurti po ashtu tha se deri te vendimi erdhën pas një raporti të policisë se Serbia po e vë në zbatim vendimin e saj pa pengesa.

Policia thotë se ka sekuestruar armatim të gjetur pranë një flamuri serb në Banjskë

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës patrullojnë në një zonë afër Manastirit të Banjskës gjatë një operacioni policor më 25 shtator 2023. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës tha të enjten se ka sekuestruar armatim, të gjetur pranë një flamuri të Serbisë, gjatë një patrullimi në fshatin Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të vendit.

Në raportin e fundit 24-orësh, Policia tha se, gjatë patrullimit të datës 4 janar, ka gjetur “ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm”.

Policia e ka cilësuar rastin “armëmbajtje pa leje”.

Sipas Policisë, deri tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me këtë rast, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë – duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.rel

Ministrit të Brendshëm të Kosovës i refuzohet vizita në Serbi

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet në Serbi i kanë refuzuar kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës.

Sveçla ka thënë se kërkesa i është refuzuar pa arsyetim dhe se “ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”.

Përmes një shkrimi në Facebook, më 4 janar, Sveçla ka thënë se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit.

Ai ka thënë se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte përcjellur agjendën në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes dhe realizim të vizitës, “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme”.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar ai.

Sipas ministrit të Brendshëm, ai do të zhvillonte vizita në Preshevë, komunë e banuar me shumicë shqiptare, dhe në Medvegjë e Bujanoc, ku gjithashtu banojnë shqiptarë.REL

Kryeministri Albin Kurti pret ministrin e Jashtëm britanik, sot zhvillohet takimi me presidenten Osmani

 

Pas vendimit për liberalizimin e vizave më 1 Janar të 2024-ës kanë nisur edhe vizitat e para diplomatike për Kosovën.

 

Pritja e ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron ka hapur edhe siparin e takimeve me ndërkombëtarët në Prishtinë.

 

Të enjten e 4 Janarit, Cameron pritet të zhvillojë fillimisht një takim me ministren e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Pas takimit, Gërvalla dhe Cameron do të zhvillojnë edhe një konferencë për mediat.

Ministri britanik i Punëve të Jashtme do të takojë edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Kujtojmë se Cameron  mbërriti në Prishtinë mbrëmjen e 3 Janarit, ndërsa u prit në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit në një postim në Twitter shkruan se ishte kënaqësi të takonte ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë.

 

“Kënaqësi të pres ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron në Prishtinë në udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar të këtij viti. Mbretëria e Bashkuar ka qenë një aleat i vendosur dhe besnik i Republikës së Kosovës, që para krijimit të shtetit tonë. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që gëzojmë”, shkruan Kurti.

Donika Gërvalla: Privilegj për mua të pres ish-PM dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të MB Lordin David Cameron

Zvkryeministra dhe MInistrja e Jashtme e Kosovës ka pritur mbrëmë Ministrin e Jashtëm të britanisë së Madhe Lordin David Cameron. Në rrjetin social ajo lë këtë koment:
“Privilegj dhe kënaqësi e veçantë për mua të pres në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ish-kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin David Cameron.
Vizita e tij në Kosovë, e para jashtë vendit gjatë këtij viti, është shprehje e qartë e mbështetjes së palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë një shtyllë e rëndësishme e Kosovës në fusha të ndryshme para, gjatë dhe pas çlirimit.
Nesër në mëngjes do të kemi takimin dypalësh, gjatë të cilit do të eksplorojmë mundësitë e shumta të thellimit të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes dy vendeve tona si dhe adresimin para mediave vendore dhe ndërkombëtare.”

Deputeti i Kosovës: Ekstremistët serbë po përgatisin plane për të sulmuar makina me targa RKS në Serbi

Deputeti i Listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka bërë apel të qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë kujdes të veçantë nëse udhëtojnë nëpër Serbi me automjete që mbajnë targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Në llogarinë e tij në Facebook, Avdyli ka ngritur shqetësimin për fushatën e grupeve ekstremiste serbe në rrjete sociale, të cilët sipas tij, kanë bërë thirrje për dallimin e shoferëve me origjinë serbe që përdorin targa RKS.

Ai ka theksuar se këto grupe po inkurajojnë vendosjen e shenjave të dallueshme, si flamuj apo simbole fetare, për të shmangur sulmet ndaj tyre.

“Nëpër rrjetet sociale serbe, grupet ekstremiste serbe, të indinjuara që automjatet që pritet të hyjnë në Serbi kanë shenja të shtetit të Kosovës, kanë filluar t’i bëjnë thirrje shoferëve kosovarë me origjinë serbe të vendosin shenja dalluese në automjetet e tyre. Si duket, qëllimi i tyre është të sulmojnë automjatet me targa RKS.”

Ai apelon për shtim të kujdesshëm për qytetarët që udhëtojnë duke përdorur targa RKS dhe sugjeron masa paraprake si shmangia e zonave të mbipopulluara, mosndalimi nëse ndalohen nga qytetarë të zakonshëm dhe sidomos nëse sulmohen nga grupe ekstremistësh.

“Diçka po ziejnë ekstremistët serbë, prandaj duhet vëmendje e shtuar”, paralajmëron Avdyli, duke u bërë thirrje shoferëve të mos ndalohen në vendet ku ka grumbullime njerëzish, të shmangin ndalimin e automjetit nga persona të paautorizuar dhe të mos reagojnë në provokime të mundshme pranë rrugëve apo autostradave.

Vendimi i Qeverisë serbe për të njohur targa RKS u mor pasi serbët që jetojnë në komunat në veri të Kosovës, gjerësisht zëvendësuan me RKS targat KS të lëshuara nga UNMIK-u, por edhe targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë që ishin me akronime serbe për qytetet e Kosovës.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, Qeveria e Serbisë mori këtë vendim “për të ndihmuar serbët nga Kosova”.

Ai shtoi se nuk është sekret që 99 për qind e serbëve në Kosovë kanë targa RKS, sepse kjo është mënyra e vetme për të lëvizur nëpër Kosovë.

“Ato po ashtu përdoren nga klerikët e Dioqezës Rashkë-Prizren për të arritur deri te faltoret dhe besimtarët”, tha Petkoviq, duke shtuar se me këtë vendim, Qeveria serbe nuk hoqi dorë nga vendimi për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës.bw

KOSTT: Nga sot rryma në veri do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të Kosovës

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se nga 1 janari i vitit 2024, në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur të regjistrohet energjia elektrike e shpenzuar.

Sipas kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të shtetit.

“Më 1 janar 2024, duke filluar nga 00:01, furnizuesi Elektrosever Sh.p.k, – kompani e licencuar dhe e regjistruar sipas ligjeve të Republikës së Kosovës – ka filluar të nominojë energjinë për katër komunat e veriut. Pra ka filluar të marrë përgjegjësinë për konsumin e energjisë në veri. Pas më shumë se 20 vjetësh, energjia e konsumuar në pjesën veriore do të paguhet njësoj sikurse në pjesën tjetër të territorit të vendit”, shkroi ai në Facebook.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe, Elektrosever, kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me Kompaninë kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS).

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor të vitit 2023.

Më 21 qershor të po atij viti, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as marrëveshja e as udhërrëfyesi nuk gjetën zbatim. Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të dialogut synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.rel

Liberalizimi i vizave për Kosovën, Kurti: Sot po hiqet një padrejtësi!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ka uruar sërish qytetarët e Kosovës për heqjen e vizave.

Para mediave, Kurti tha se sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë, të cilët e kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës së Qeverisë.

“Kemi pritur shumë gjatë, nga sot po hiqet një padrejtësi. Qytetarët tanë tashmë do të mund të lëvizin në 32 vende. Sot do të udhëtojnë për në Vjenë 50 qytetarë të cilët kanë fituar këtë mundësi në kuadër të fushatës tonë. Të respektojnë kriteret, dhe kudo që të udhëtojmë mos të harrojmë se shtëpia jonë është Kosova. Urime viti i ri dhe për herë të fundit urime liberalizimi i vizave”, tha Kurti.

Shtetet që përfshihen në vendimin për liberalizimin e vizave për kosovarët janë: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qipro, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Norvegjia, Lihtensteini dhe Islanda.

Komandanti i KFOR-it: Në rast përshkallëzimi, jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Özkan Ulutaş, ka deklaruar se synimi i këtij misioni të NATO-s është të parandalojë përshkallëzimin.

Por në rastin se kjo veç ndodh, ai u shpreh se janë të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tyre.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka theksuar se pas agresionit të grupit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe sulmeve ndaj trupave të KFOR-it nga protestat e serbëve në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë.

Sipas tij, KFOR tani është duke zhvilluar më shumë aktivitete, duke e katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare.

Këto ai i konsideron si hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij.

I pyetur se nëse mobilizimi ushtarak i Serbisë është një paralajmërim për luftë në Kosovë, dhe në rast të ndonjë sulmi direkt nga ushtria serbe në territorin e Kosovës, Ulutaş është shprehur: “Siç e kam thënë më parë, nuk dua të spekuloj për një skenar të ardhshëm. KFOR-i komunikon rregullisht dhe në mënyrë transparente me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare dhe vendore dhe unë e kam bërë prioritet timin të nxis komunikimin dhe koordinimin e bazuar në besim”.

“Jemi në kontakt të ngushtë me shefin e mbrojtjes së Serbisë, si dhe me institucionet në Kosovë dhe me organizatat e sigurisë të Kosovës. Kjo është e rëndësishme për të shmangur keqkuptimet, veçanërisht në kohë krize dhe kur tensionet janë të larta”.

Ndër tjera,  Ulutaş ka theksuar se situata në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është e qetë, por sipas tij, mbetet e brishtë, pas rritjes së tensioneve në muajt e fundit.sn

Kurti: Afrim Bunjaku e Enver Zymeri, janë historia krenare e Republikës

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar familjet e heronjëve Afrim Bunjaku dhe Enver Zymeri, me çrast ka thënë se janë dy emra heronjsh, që si oficerë policie ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë s festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, por ata nuk do te harrohen asnjëherë sepse janë historia krenare e Republikës sonë.

Postimi i tij:

Afrim Bunjaku e Enver Zymeri janë dy emra heronjsh, që si oficerë policie ranë në krye të detyrës për sundimin e ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Bashkë me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, sot vizituam familjet e tyre në Vushtrri.

Në Samadrexhë, gruas Lumnijes, vajzës Arbenitës dhe dy djemve Fatlumit e Jetlumit, motrës Fexhrijes si dhe të afërmve të tjerë, iu shprehëm edhe njëherë mirënjohjen e thellë për sakrificën dhe kontributin e rreshterit të Policisë, heroit tonë Afrimit. Aty shkuam bashkë me djalin e Enver Zymerit, Sokolin.

Nga aty, me dy djemtë e Afrim Bunjakut, Fatlumin e Jetlumin vizituam familjen e Enver Zymerit. Na pritën vëllau Egzoni, gruaja Drita, djali Sokoli, vajzat Luljeta e Rinesa, axha Ramadani dhe shumë të tjerë.
Enverin e kujtoj dy herë. Një herë për shërbimin dhe sakrificën e tij dhe një herë tjetër për Bacën Rremë, babain e tij, Muharremin, shokun tim të burgut, me të cilin e kam ndarë të njëjtën qeli për një vit, në burg të Serbisë, e i cili ndërroi jetë para dy vitesh.

Festat e fundvitit do të ishin më të plota me Afrimin e Enverin, por ne nuk i harrojmë asnjëherë sepse ata janë historia krenare e Republikës sonë.sn

Lind fëmija i parë për 2024-ën në Kosovë, Kurti: Më shumë kushte për nënat e reja

Lind fëmija i parë për 2024-ën në Kosovë. Ka qenë pikërisht ora 00:05 kur në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare erdhi në jetë një djalë.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkoi dhe vizitoi nënën e re. “Jam shumë i lumtur me nënat të cilat i dhanë foshnjet e para. E kemi Rajanën pesë minuta para mesnatës dhe e kemi Naronin, pesë minuta pas mesnatës, edhe foshnjat dhe nënat janë mirë”, deklaroi Kurti.

Kurti tha se në çdo institucion shtetëror ka zyrtarët kujdestarë të cilët punojnë që ne të tjerët të mund të festojmë. “Falënderoj Drejtorin Dr. Zef Ndrejaj dhe gjithë personelin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për angazhimin e pakursyer dhe mikpritjen e përzemërt”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se Ministria e Shëndetësisë po e rinovon tërësisht Repartin e Gjinekologjisë përmes investimit në vlerë dy milionë e gjysmë euro. “Do të ofrohen kushte dinjitoze për nënat e reja dhe mjedise moderne për mjekët e infermierët. Në këtë vit edhe repartet tjera do ta kenë të njëjtin fat sepse shëndetësia është prioritet i yni. Urime familjarëve dhe gëzuar 2024”, shkroi Kurti.bw

‘Politikani serb i rrezikuar, kërkon azil në Kosovë’- Ish-hetuesi: Shkak, Milan Radoiçiç

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” Boban Bogdanoviç ka kërkuar azil politik në Kosovë për shkak të Milan Radoiçiçit.

Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti ka thënë se ai ka kërkuar azil politik pasi është ndjerë i rrezikuar.

“Personin i cili ka ardhur nga Beogradi këtu në favor të zbardhjes së rastit. I njëjti person që ka kontribuar në zbardhjen e këtij rasti për vrasjen e Oliver Ivanoviçit është detyruar para pak ditësh të kërkojë azil. Ka kërkuar azil politik në Kosovë. Ai ka ardhur të dëshmojë në lidhje me rrjetin e personave të Radoiçiçit. Është njëfarë mjegullie, nuk e di interesin e tij konkret, nuk e di që ka pasur qëllim të krijojë mjegulli më shumë sesa që ka në dosje”, ka thënë Mehmeti, për mediat kosovare.

Milan Radoiçiç bashkë me Zvonko Veselinoviç dyshohen për ndërlidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviçit. Ivanoviç ka qenë lider i subjektit opozitar Iniciativa Qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” i cili është vrarë para selisë së këtij subjekti në Mitrovicën e Veriut, nga të shtënat prej revoles, në janar të vitit 2018.

Në rastin për vrasjen e Ivanoviçit po gjykohen gjashtë persona, katër prej tyre ish-policë. sn

Konjufca: Vetëvendosje të jetë e gatshme për zgjedhje të parakohshme

Më mirë të mbahen zgjedhjet para kohe, thotë Glauk Konjufca, ndërkohë që partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre, e Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundit të mandatit. Kryeparlamentari parashikon vit të ndërlikuar dhe me më shumë sfida, ndaj thotë se nevojitet një pushtet i ri. Ai s’do të ishte kundër që LVV-ja të qeveriste në koalicion me një parti tjetër.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca mendon se do të ishte më mirë që në Kosovë të mbahen para kohe zgjedhjet parlamentare.

 

“Viti 2024 do të jetë më i ndërlikuar sesa viti 2023 në kuptimin botëror”, parashikoi mbrëmë ai. Kësisoj, tha se do të ishte “shumë më e dëshirueshme” që zgjedhjet të mbaheshin më shpejt, në mënyrë që, siç argumentoi ai, sfidat përgjatë vitit që po vjen të mos e orientojnë “karakterin e legjitimitetit” të pushtetit të ri.

“Mua më duket që mandati… nëse Qeveria mendon që duhet të shkojë deri në fund, kush jam unë që t’ju përzihem atyre. Mirëpo, për shkak të viti 2024 dhe zhvillimeve që unë i përmenda, do të dëshiroja – tash ky është mendim i imi më privat – që Kosova të mos kalonte nëpër këto procese, që këto procese me ndiku në legjitimitetin e pushtetit të ardhshëm në Kosovë. Do të doja më tepër… është alternativa që e mendoj, që do të ishte shumë më e dëshirueshme ndoshta… Këtë e kam jo për Lëvizjen Vetëvendosje, e kam për Kosovë. Për Kosovën, për institucionet e Kosovës do të ishte më e shëndetshme që legjitimiteti i pushtetit, i riu, me u përballë me ato sfida, e jo ato sfida me e orientu karakterin e legjitimitetin”, tha Konjufca në një intervistë në Klan Kosova.

 

“Po”, tha prerazi kryeparlamentari, kur u pyet nëse po thotë se është më mirë të ketë zgjedhje të parakohshme.

Konjufca tha se është “plotësisht e mundshme” që të ndodhë ajo që ai dëshiron dhe shtoi se “Vetëvendosje gjithmonë duhet të jetë e gatshme për zgjedhje të reja”.

 

“Tri ngjarjet”

Ai përmendi “tri ngjarje” globale në vitin e ardhshëm, që ai pret se do të kenë “impakt të jashtëzakonshëm” për Kosovën. “Tri ngjarje do ta definojnë relacionin tonë sidomos me Bashkimin Europian dhe këto do të kenë ndikim edhe në procesin politik të relacionit mes Kosovës dhe Serbisë. Janë në maj zgjedhjet europiane dhe kjo do ta ridefinojë Parlamentin Europian. Unë mendoj që shenjat e para të zgjedhjeve nëpër kështu… po tregojnë disa zhvillime të cilat mund të kenë impakt të jashtëzakonshëm”, tha Konjufca.

Ai parashikoi se “impakti më negativ për Kosovën” do të ishte nëse nga zgjedhjet europiane ekstremët e majtë dhe ata të djathtë do të fitonin hapësirë dhe pozicione të rëndësishme në Komision Europian. Më tej përmendi presidencën hungareze, që nga 1 qershori do ta marrë në udhëheqje Këshillin e BE-së dhe tha se Hungaria ka qenë “e zëshme kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Serbisë, por edhe heqjes së sanksioneve ndaj neve”. Të tretën, e përmendi garën presidenciale në SHBA. “Kë ta zgjedhin, ne do të bashkëpunojmë”, tha Konjufca.

 

A do të ketë koalicion në qeverinë e ardhshme? Konjufca u pyet nëse do të donin që ta ndanin përgjegjësinë në qeverisje me ndonjë parti tjetër. “Unë për nga natyra nuk jam egoist dhe mendoj që karakteri demokratik i një shteti është se e ka krejt spektrin politik edhe e kërkon bashkëveprimin, kompromisin, në mënyrë që me e çu vendin përpara, po ku ti nuk mund ta realizosh krejt atë që e ke planifiku dhe e ke mendu sepse forcat tjera politike po ashtu janë pjesë e asaj që është vullnet i qytetarit dhe pastaj vjen e përkthyer në Kuvend me ulëse dhe me të gjitha këto. Pastaj ato pjesë ndërveprojnë për me mujtë shtetin me e shty përpara”, tha ai.

“Kjo i bjen që koalicion Vetëvendosjes do t’i imponohet nëse Vetëvendosja nuk do të mund ta krijojë qeverinë e vetme”, tha Konjufca. Nëse LVV-ja nuk merr mbi 50% të votave në zgjedhjet e ardhshme, kryeparlamentari tha se sinjali do të jetë që duan t’i shohin “bashkë me dikë tjetër”. “Kjo do të jetë si njëfarë lloj barometri.Nëse qytetarët e Kosovës e votojnë Vetëvendosjen mbi 50%, ata sikur po duan ta japin sinjalin që ky drejtim po ju konvenon, por nëse e votojnë nën 50%, atëherë mesazhi ka me qenë që ne po ju shohim më mirë bashkë me dikë tjetër sesa vetë”, tha ai.

Sondazhet

Partitë po bëjnë sondazhe për të kuptuar pozicionin e tyre ndërsa Qeveria Kurti 2 po shkon drejt fundi të mandatit. Numri dy në Lëvizjen Vetëvendosje tha se hulumtimet që ai i ka parë, e nxjerrin partinë në pushtet mes 52 dhe 54 përqindëshit. “Unë çdo hulumtim serioz që e kam parë prej vitit 2021 për partitë politike, subjekti i cili më ka zgjedhur në këtë pozitë institucionale gjithmonë ka dalë mes parametrave 42% dhe 54”, tha Konjufca.

Ai tha se janë “6 hulumtime për opinionin publik” që ai i ka parë gjatë këtij mandati. “Pika më e ulët e hulumtimeve të opinionit publik që unë i kam pa ka qenë 42%”, theksoi Konjufca. Sfidat më të mëdha të Kosovës në vitin e ardhshëm pritet të jenë ato nga dialogu me Serbinë. BE-ja thotë se themelimi i Asociacionit “pritet të fillojë së shpejti”, ndërkohë që në Bruksel dhe në Washington po presin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të lëvizë në këtë drejtim.

Kurti: Ata që e donin Asociacionin, e humbën shansin më 26 tetor

Kryeministri Albin Kurti tha se liderët e BE-së dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e kishin rastin më 26 tetor që ta merrnin nënshkrimin e tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti tha në një konferencë për media se duhet të pyeten ‘ata atje’ se ‘pse e humbën atë shans aq të mirë’. ‘Unë nuk mund të bëj më shumë sesa të nënshkruaj. Lapsin e kam në dorë, teksti është i dakorduar – thanë jo. Çka t’iu bëj tash? Çka me iu bë unë kur thonë jo ata? Duhet me u kthy me zëvendëskryeministren Gërvalla me u kujdes për qytetarët, sepse kemi shumë punë këtu’, tha ai.

‘Unë po ju them gjëra që ua kam thënë edhe më herët, sepse s’ka ndonjë gjë të re këtu që unë të kem përgjigje të reja. Më 26 tetor më është thënë që situata është urgjente, nuk po përfundon agresioni rus në Ukrainë, nisi edhe një luftë në Lindjen e Mesme, rrjedhimisht është çështje jetike, urgjente, normalizimi i marrëdhënieve. Meqë është ashtu, sonte po e nënshkruajmë. Por ka renditje të dokumenteve për nga rëndësia dhe kronologjia: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe draft-statuti për të cilin unë dy ditë më herët i kisha dërguar vërejtjet e mia’, tha Kurti.

‘Ajo ishte një shancë e madhe. Ata që në Bashkimin Europian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Por nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë që isha i gatshëm për nënshkrim, tash a jam serioz? Po ku ka më serioz sesa të thuash eja nënshkruajmë sonte. Më seriozitet se kaq në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për marrëveshje ndërkombëtare, nuk ka. Aty joserioziteti i doli palës serbe, që nuk nënshkruan’, shtoi kryeministri.

Kurti tha se ‘Serbia është tërhequr nga marrëveshja bazike’ dhe se kjo është ‘pengesë kapitale për normalizim’.

Ai tha se në mars, kur ishte marrë vesh me Vuçiçin për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, kishte propozuar që ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionin, por s’ishte lejuar.

‘Më 18 mars, unë kam propozuar që ta shkruajë draft-statutin me tri principe, por m’u tha jo. Ajo ishte koha kur thuhej që të dyja palët duhet të pajtohen’, tha ai.

Kurti më 26 tetor ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë paraprakisht atë muaj. Ai ka treguar më herët se në takimin me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Georgia Meloni atë natë, ata i kishin folur për ‘urgjencën e kësaj çështjeje’.

Banka Qendrore e Kosovës: Mbi 1.2 miliard euro të ardhura nga emigrantët gjatë një viti

Mbi 1.2 miliard euro është vlera e dërgesave të mërgatës që janë sjell në Kosovë deri në muajin nëntor 2023, gjë që paraqet rritje prej 10.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për muajin nëntor 2023, të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera e tyre, sipas vlerësimeve, muaj ishin 101.3 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 65 për qind, pasuar nga kanalet tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 300.6 milionë eurove dhe është rritje prej rreth 200 mijë euro krahasuar në tetor 2023.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të muajit nëntor janë rritur për 2.8 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 499.4 milionë eurove.

Kurti: Do t’i njohim targat e Serbisë, kur të sigurohemi se ajo po e zbaton vendimin për targat e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar targat e Serbisë, pasi Policia e Kosovës të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.

Ditë më parë, Serbia vendosi që nga 1 janari të lejojë qarkullimin lirshëm të veturave me targa RKS duke hequr letrat ngjitëse. Ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën, kryeministri Albin Kurti e ka quajtur maskim vendimin e Qeverisë së Serbisë, teksa ka shtuar se duhet të shihet në terren zbatimi i tij, për të vepruar edhe Kosova, bazuar në parimin e reciprocitetit.

“Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve reciproke do ta marrim sapo që policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj. Besojmë se kjo qasje është e drejtë përveçse e arsyeshme”, ka thënë ai.

Kurti ka deklaruar se vendimi i Serbisë vjen pas më shumë se 10 vjetësh të moszbatimit të marrëveshjeve paraprake e përdorimit të çështjes së targave nga Serbia për dy vjet për të tensionuar situatën në veri të Kosovës. Ai ka thënë se vendimi i Serbisë është marrë edhe për qëllimin që të ulen kritikat e ndërkombëtarëve mbi Serbinë, pas zgjedhjeve të dhjetorit.

“Targat në Kosovë, në shtator të 2021-s, përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG 29 të ngritur në qiell përreth kufirit e për të tentuar destabilizim në veri, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave që ishin ngritur rrugëve të komunave veriore për tri javë rresht në dhjetorin e vitit të kaluar, kurse në dhjetor sivjet po përdoren për të ulur presionin nga Perëndimi demokratik (BE-SHBA) mbi Serbinë për zgjedhjet jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar të marrëveshjes bazike të Brukselit që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator. Kështu duhet të lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit, mbi bazën e shkronjës dhe frymës së marrëveshjes bazike, është manovër e radhës jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë të Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka thënë Kurti.

Simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për targa automjetesh, tash e dy vjet janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021.

PDK kërkon që Ligji për Fondin Sovran të shpallet jokushtetues

Subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, disa ditë pas në vendimi të njëjtë të ndërmarrë nga subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas dorëzimit të lëndës në Kushtetuese, Ferat Shala nga PDK, tha se ky ligj, i miratuar më 15 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës, është diskriminues dhe në kundërshtim me parimin e ekonomisë së lirë të tregut.

Ai tha se me këtë, Qeveria e Kosovës po tenton “të kapë” resurset dhe ndërmarrjet, që sipas tij, veçse i menaxhon.

“Por, sikur nuk mjafton ky menaxhim dhe dështimet ekonomike që ka arritur në këto tre vjet në këto ndërmarrje, tash po orvatet të vendosë një superstrukturë menaxhuese për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja të tjera të kontrollit mbi këto asete”, tha Shala.

Fondi Sovran synon të menaxhojë pasurinë më të rëndësishme publike të Kosovës.

Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu, tha se besojnë se Kushtetuesja do të shpallë jokushtetues ligjin.

Ai tregoi disa nga çështjet që PDK-ja i ka kontestuar.

“Së pari, në pikëpamje të titullit ligjor, ndërmarrja apo superstruktura mega-ekonomike që po krijohet me Fondin Sovran, e ka titullin ‘Shoqëri aksionare’, por kjo është ‘shoqëri e shoqërive aksionare’ sepse dhjetëra ndërmarrje të tjera publike do t’i nënshtrohen asaj dhe përballë saj nuk do të ekzistojnë në pikëpamjen juridike. Kjo nënkupton se krijohen pabarazi, krijohen pasiguri juridike, element që përbën thelbin e sundimit të ligjit si dhe vlerë në kuptimin e nenit 7 të Kushtetutës”, tha ai.

Sipas tij, 11 nene të ligjit janë në mospërputhje me shtatë nene të Kushtetutës.

“I tillë është edhe neni që flet për rolin investues të Fondit Sovran si dhe krijimin e ndërmarrjeve, që njihen si ndërmarrje private që do t’i mbështesë fondi. Në këtë mënyrë krijohen monopole në treg si sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private, sipas dëshirës së tij, pa kushte e pa kritere, do të investojë dhe në raport me to do të ketë diskriminim, sepse ndërmarrjet tjera, qoftë private apo publike, do të jenë të diskriminuara”, tha Fetahu, duke shtuar se përzgjedhja e ndërmarrjeve private, në të cilat Fondi do të investojë, përbën cenim të konkurrencës së cilës dhe të parimeve të ekonomisë së tregut.

PDK-ja po ashtu ka kontestuar përbërjen e bordit, ku parashihet të marrin pjesë edhe udhëheqësit e Bankës Qendrore të Kosovës dhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Përfshirja e përfaqësuesve të dy institucioneve të pavarura, sipas PDK-së përbën konflikt të hapur të interesit.

Fetahu tha po ashtu se Ligji për Fondin Sovran ka një nen që parasheh anashkalimin e Ligjit për prokurimin publik.

“Bëhet fjalë për miliona dhe miliarda asete nuk do t’i nënshtrohen këtij ligji”, tha ai.

Në Fondin Sovran pritet të përfshihen ndërmarrjet publike sikurse: Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Kombinati metalurgjik Trepça, Trainkos-i dhe Infrakos-i.rel

Haliti: Aleksandar Vulin ishte në Kosovë kur ndodhi sulmi në Banjskë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se në ditën e sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator ndaj Policisë së Kosovës nga terroristët, në Kosovë ishte shefi i BIA-s, Aleksandar Vulin.

“Vulin, ish-shefi i shërbimeve sekrete serbe ishte në Banjskë, ishte në veriun e Mitrovicës dhe askush nuk e tha, por diplomacia funksionon pak më ndryshe prej ne që mendojmë, por ai u detyrua të japë dorëheqje në Serbi”.

“Ai ishte në Kosovë gjatë sulmit në Banjskë”, ka thënë deputeti i PDK-së.

Haliti ka thënë se ndërkombëtarët janë në dijeni që Vulin ndodhej atje në atë periudhë kohore.

“Ndërkombëtarët e dinë që Vulin ka qenë atje në atë periudhë…Vetë fakti që s’po bëhet raporti për atë që ka ndodhë në veriun e Kosovës flet që demokracia është duke vepruar me qëllim që disa çështje të heshten dhe raportet e bisedimet të shkojnë në përmbyllje të kësaj situate”, ka shtuar ai.

Haliti është shprehur se duhet të ndiqet rruga diplomatike./Dukagjini

Municion, bomba tymuese e tela me gjemba, policia e Kosovës sekuestron mjete të rrezikshme në veri të Mitrovicës

Policia e Kosovës, ka sekuestruar në veri të Mitrovicës, mjete të rrezikshme që do të mund të përdoreshin për sulme ndaj policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve.

Kështu është bërë e ditur në një njoftim për media nga Policia e Kosovës.

Sekuestrimi i këtyre mjeteve të rrezikshme ka ndodhur sot në orët e hershme, ku policia ka pranuar informatën se në lagjen e boshnjakëve përballë shkollës së mesme teknike janë fshehur disa gjëra (pajisje të rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin e realizimit të detyrave ligjore.

“Njësitet kompetente policore bazuar në informacione relevante pranuar nga qytetarët kanë ndërmarr veprime të menjëhershme hetimore dhe operative me ç’rast në lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë realizuar një operacion kontrolli dhe aty kane gjetur: tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymuese, municion dhe një uniformë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thekson se uniforma e gjetur sot është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist në Banjskë në shtator të këtij viti.

“Veprime policore operacionale në teren ende po vazhdojnë me qëllim të identifikimit të mjeteve tjera të dyshuara në mënyrë që të parandalohet rrezikimi nga to, i qytetarëve apo të parandalohet ndonjë sulm ndaj Policisë se Kosovës që po punojnë për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofrimin e bashkëpunimit reciprok në funksion të garantimit te një sigurie më te madhe për të gjithë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës publikon emrat dhe fotografitë e terroristëve të identifikuar për sulmin në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët me kryministrin Albin Kurti, ka bërë publike emrat dhe fotografitë e terroristëve të identifikuar lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, më 24 shtator, raporton Express.

Sveçla ka thënë se shumica e tyre janë pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës e Veriut”, që nga Kosova janë shpallur organizata terroriste.

1
2
3
4
5
6
7
8
9
10
11
12
13
14
15
16
17
18
19
20
21
22

 

Kurti thotë se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Millan Radoiçiq, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për media së bashku me ministrin e tij të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kurti, pa dhënë dëshmi, tha se sulmet e reja po përgatiten nga pjesëtarët e grupit që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre sulmues.

Sipas Kurtit, Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj, ndërkaq bashkëshortet e tyre, që gjenden në Kosovë, po punësohen, në mënyrë, që sipas tij, të mos ketë pakënaqësi.

Ai përmendi disa lokacione në Serbi, përfshirë poligone ushtarake, ku pretendoi se po stërviten pjesëtarët e grupit të Radoiçiqit.

Kurti tha se kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoiqit.

“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij, automjetet dhe armët e përdorura në Banjskë, janë dërguar në kompaninë Novi Pazar Put.

Kurti pretendoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin Zimovnik, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

Po ashtu, ai përmendi edhe poligonin e ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të “Mbrojtjes Civile”, që Kurti tha se kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

“Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti, duke thënë se ky grup përbëhet prej njerëzve të besueshëm të Radoiçiqit.

“Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” në Kosovë cilësohen organizata terroriste dhe autoritetet kanë thënë se ato veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Kurti po ashtu përmendi një plan për një sulm në nëntor për, siç tha, rimarrjen e vilës së Radoiçiqit afër Liqenit të Ujmanit, që autoritetet kosovare sekuestruan pas sulmit të 24 shtatorit.

Planet kanë ndryshuar për shkak të zgjedhjeve në Serbi, tha Kurti, duke shtuar se ato janë të destinuara që të dështojnë.

Ai tha se Kosova, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla.

Kryeministri kosovar po ashtu tha se Rajska Banja, që ditëve të fundit u mor nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është përdorur gjatë sulmit në Banjskë.

Sveçla, ndërkaq, bëri një kronologji të gjithë ngjarjes që ndodhi më 24 shtator. Ai paraqiti fotografi, harta dhe pamje të shkëputura nga droni, për vendndodhjen dhe lëvizjen e pjesëtarëve që sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë.

Ai madje paraqiti informacione për të dyshuarit e sulmit, duke publikuar fotografi dhe informacione të tjera personale për ta.

Sveçla tha se që nga viti 2021 deri tani, Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri, kryesisht të kryera nga grupi, që sipas tij, kreu sulmin në Banjskë.

Kosova sulmin në Banjskë e konsideron terrorist dhe e fajëson Serbinë për të. Beogradi mohon përfshirjen në këtë ngjarje.

Sekuestrohen kamera të sigurisë në fshatra të banuara me serbë në rajonin e Gjilanit

Rreth 50 kamera të sigurisë, të cilat kishin qenë të vendosura në zona të banuara me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit, janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, të premten.

Prokuroria e Gjilanit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se konfiskimi është bërë nga Policia, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe me urdhër të gjykatës kompetente në Gjilan.

“Dyshohet se të njëjtat [kamera] janë përdorur për fotografime dhe incizime të paautorizuara”, ka thënë Liridona Xheladini, zyrtare për komunikim në Prokurorinë e Gjilanit.

Prokuroria nuk ka treguar saktë se në cilat zona është bërë sekuestrimi, teksa ka thënë se bëhet fjalë për fshatra të banuara me shumicë serbe në rajonin e Gjilanit.

Përveç disa fshatrave në Komunën e Gjilanit, që janë të banuara me serbë, në rajonin e Gjilanit përfshihen edhe dy komuna të tjera ku serbët përbëjnë shumicën – Ranilluku dhe Parteshi.

Në këto dy të fundit, Radio Evropa e Lirë në vitin 2022 pati raportuar se janë të vendosura dhjetëra kamera të sigurisë nëpër hapësira publike, të cilat nuk dihen se nga kush kontrollohen.

Më 2022, REL ka raportuar se kamera të sigurisë, që nuk dihet se kush i kontrollon, vëzhgojnë edhe hapësirat publike në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kamerat e tilla janë të vendosura në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

Sipas ligjeve në fuqi, në Kosovë, vëzhgimi i hapësirave publike me kamera mund të bëhet vetëm për nevoja të Policisë së Kosovës.

Kurti propozon që ai dhe ministrat e tij ta shkruajnë një statut për formimin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një postim në Facebook lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2024, tha se për Qeverinë e tij prioritet mbetet siguria e Kosovës, integriteti territorial dhe përmirësimi i kushteve të jetesës së të gjithë qytetarëve pa dallim.

Ne lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Kurti tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe se deklarata e fundit e ndërmjetësit në dialog, Miroslav Lajçak, nënkupton se çështja e draft-statutit është “vetëm çështje e brendshme e Kosovës”.

“…Në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiq (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka thënë se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “mund të nënshkruhet në Samitin e Këshillit Evropian”, i cili do të mbahet më 21 dhe 22 mars 2024.

Kosova dhe Serbia e pranuan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në fund të shkurtit dhe një dokument aneks për zbatimin e saj u dakordua në Ohër në mes të marsit. Megjithatë, Kosova insistoi në nënshkrimin e këtyre dokumenteve, të cilat Serbia i refuzoi.

Më 14 dhjetor, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, e dorëzoi një letër zyrtare në selinë e Bashkimit Evropian, ku shpreh rezerva për detyrimet që dalin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, përfshirë aneksin zbatues. Zyrtarët e lartë të Serbisë në disa raste kanë thënë se nuk do ta pranojnë asnjëherë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, Kosovës po i kërkohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në bazë të një draft-statuti i cili iu paraqit Kosovës dhe Serbisë në tetor nga përfaqësues të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Kurti dhe Vuçiqi e pranuan atë statut në parim.

Në një intervistë për portalin kosovar Gazeta Express, i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja duhet të formalizohet deri në fund të janarit dhe se për këto kërkesa të palëve pritet zbatimi i Asociacionit.

“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e zyrtarizimit sipas kërkesës së Kosovës dhe ne i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim dhe aktualisht presim përgjigjen e tyre”, tha Lajçak.

Për sulmin në Banjskë

Kurti iu është referuar edhe sulmit në Banjskë me vlerësimin se “përfundimet e hetimit duhet të publikohen menjëherë dhe Millan Radoiçiq dhe anëtarët e grupit të tij paraushtarak duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës”.

Një grup serbësh të armatosur e sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. Kosova pretendon se pas këtij sulmi qëndron Serbia, të cilën Beogradi zyrtar e mohon.

Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka thënë se gjithçka e ka organizuar vetë, dhe se për këtë nuk ka njoftuar askënd. Ndërkohë, në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë (Interpol) lëshoi fletarrestim për Radoiçiqin.

“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, të 14 dhjetorit)”.

Gjithashtu, Kurti kërkoi që të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat BE-ja i vendosi për shkak se Qeveria nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës në fund të majit.rel


Send this to a friend