“Këto nuk flitet vetëm për krimet e kohës së luftës, por edhe pas 1999, kur ka pasur një Qeveri të përkohshme, e cila ka pasur strukturë dhe kontroll. Këtu është një dallim se është kohë paqeje”, ka thënë Hasani, në Rubikon të KTV’së.
Ai ka thënë se më së shumti Gjykata Speciale do të merret me kohën e pasluftës për shkak se në kohën e luftës s’kishte hierarki të qartë as në udhëheqjen e UÇK’së. Ka marrë shembullin nga gjykimi i Limajt në Hagë ku ishte thënë se ai s’ka pasur përgjegjësi komanduese pasi UÇK s’kishte strukturim të qartë në udhëheqje.
“Prcedenti Limaj i Hagës vlen sepse përgjegjësia e UÇK’së nuk mund të jetë komanduese”, ka thënë Hasani, teksa ka folur për krimet e kryera pas luftës.
“Nuk çuditëm edhe nëse arrestohen ata”, ka thënë Hasani, kur është pyetur për mundësinë e arrestimit të Thaçit si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme.
Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme kishte qenë Hashim Thaçi; Ministër i Punëve të Brendshme Rexhep Selimi; Ministër i Mbrojtjes, Fatmir Limaj; Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Azem Syla; Komandant i UÇK’së pasluftës, Agim Çeku etj.
Por, pse është themeluar kjo Gjykatë?
Përgjigja është e qartë: për t’i sqaruar akuzat që janë shkruar nga një zviceran, Dick Martyt, në një raport 30 faqesh, ku i bën përgjegjës udhëheqësit e UÇK’së për krimet e kryera gjatë dhe me krimin e organizuar pas luftës.
Për t’i hetuar këto akuza ishte emëruar edhe Prokurori, Clint Williamson, i cili kishte thënë se do të ngriten përafërsisht dhjetë aktakuza ndaj ish-udhëheqjes së UÇK’së.
“Ne besojmë se Task Forca do të jetë në gjendje të ngrejë aktakuza kundrejt disa ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime kundër Serbëve, Romëve dhe etnive tjera si dhe Shqiptarëve që janë besuar të kenë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë dhe rivalëve politikë”, kishte thënë Williamson, në korrik, të vitit 2014.
Ky Prokuror kishte përmendur numrin dhjetë të aktakuzave, por jo edhe numrin e të akuzuarve, shkruan Gazeta Express.
“Kaq, pak a shumë, ndoshta me pak por afërsisht 10 aktakuza”, kishte shtuar ai.
Deri më tash, askush s’ka përmendur emrat e atyre që do të akuzohen, por Prokurori Williamson, kishte treguar adresën se ku janë ata njerëz që do të ndiqen penalisht.
“Nuk do të hyjë në specifika për të folur për individë, por të dhënat tona janë në koherencë me atë që ka thënë Dick Marty në raportin e tij, që këta individë kanë qenë në menaxhment të lartë të UÇK’së”, kishte shtuar ai.
Në vend të Williamson është emëruar amerikani David Schwendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Europës për krime lufte në Kosovë.
Por, kush janë emrat që përmenden në këtë raport?
Ata janë: Hashim Thaçi, Shaip Muja, Kadri Veseli, Azem Syla, Fatmir Limaj , Xhavit Haliti, Haradinaj janë personazhet kryesorë në Raportin e Dick Martyt.
Emrat e udhëheqësve të UÇK’së në Raportin e Martyt
Më së shumti përmendet emri i ish-udhëheqësit politik të UÇK’së, Hashim Thaçit. Pra, emri i tij figuron në pothuajse secilën prej 30 faqeve të Raportit. Konkretisht, pesë herë përmendet emri dhe mbiemri, ndërsa, 21 herë të tjerë mbiemri i tij. Në total, emri i Ish-Kryeministrit Thaçi përmendet 26 herë.
Pas tij vjen deputeti tjetër i PDK’së, Shaip Muja, i cili përmendet 20 herë në Raport. Ai ka pasur pozita edhe në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK’së. Pos tyre, në Raport përmendet shtatë herë edhe emri i Kadri Veselit, aktualisht, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Gjashtë herë përmendet edhe emri i Fatmir Limajt, aktualisht, deputet dhe udhëheqës i një partie të vogël politike.
Azem Syla dhe mbiemri Haradinaj përmenden nga dy herë në raport.
Emërtimi “Grupi i Drenicës” përmendet pesë herë, ndërsa, udhëheqës i tij, thuhet se është Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi.
“Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEXi zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.
“Disa anëtarë të tjerë të ‘Grupit të Drenicës’ na janë dhënë indikacione gjatë hulumtimit se kanë luajtur rol vital si bashkëkonspiratorë në aktivitete të ndryshme kriminale. Këtu përfshihen Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla dhe Fatmir Limaj. Të gjithë këta janë hetuar vazhdimisht gjatë dekadës së fundit si të dyshuar për krime lufte dhe ndërmarrje të përbashkëta kriminale, duke përfshirë raste të mëdha të udhëhequra nga UNMIKu, Tribunali i Hagës, dhe EULEXi. Deri më sot, të gjithë i kanë ikur drejtësisë”, shkruan mes tjerash Marty.
“Burimet e drejtpërdrejta që disponojmë tregojnë në mënyrë të besueshme se Haliti, Veseli, Syla e Limaj, si dhe Thaçi e anëtarët e tjerë të rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë, do kenë urdhëruar, e ndonjëherë do kenë ndjekur edhe personalisht, realizimin e një numri vrasjesh, burgosjesh, agresionesh dhe marrjesh në pyetje, në rajone të ndryshme të Kosovës dhe konkretisht, çka na intereson në mënyrë më të veçantë, gjatë operacioneve të kryera nga UÇK-ja në territorin shqiptar, në vitet 1998-2000”, thuhet në raport.