VOAL

VOAL

Limaj: Serbët nuk kanë kërkuar asgjë në këmbim të votës për demarkacion

PRISHTINE– Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka ndarë optimizmin me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi gjatë kësaj jave.

“Unë pres që këtë javë kjo çështje të mbyllet. Do të doja që këtë javë të mbyllet”, ka thënë Limaj në një debat në televizionin publik.

“Kjo javë, besoj, është shumë e rëndësishme për ta mbyllur këtë temë”, është shprehur kryetari i Nismës Socialdemokrate.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës i vendit po angazhohet për t’i siguruar votat për ratifikimin e Projektligjit për demarkacionin.

“Kemi punuar fort këto ditë për t’i siguruar votat”, ka deklaruar Limaj.

Ai ka thënë se, përkundër raportimeve në media, Lista Serbe nuk ka kërkuar asgjë në këmbim të votave për demarkacionin.

Haradinaj: Jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës”, tha Haradinaj

PRISHTINË – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në një njoftim nga Kryeministria e Kosovës thuhet se gjatë takimit Haradinaj- Mitchell në fokus të bisedës kanë qenë zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri Haradinaj i ka shprehur falënderimet Ndihmës Sekretarit Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-ve, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e sundimit të ligjit.

“Mbështetja që SHBA-të i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike, është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën, e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se në takim, poashtu është biseduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri është shprehur se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Ndihmës sekretari amerikan Mitchell gjatë ditës është takuar edhe me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Në kuadër të turneut në shtetet e Ballkanit Perëndimor të filluar nga Prishtina, Mitchell do të vizitojë edhe Maqedoninë, Greqinë, Serbinë dhe Qipron greke.

Wess Mitchell: Rusia po luan rol destruktiv në Ballkan

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell, tha të hënën në Prishtinë se Rusia po luan një rol destruktiv në Ballkan duke shpërndarë dezinformata dhe duke dëmtuar institucionet demokratike. Ai tha se u është bërë e qartë rusëve se kjo nuk është në interesin e tyre dhe as në interesin e popujve të rajonit.

Ai i bëri këto komente në fillim të vizitës së tij në rajon, të cilën e hapi me Kosovën ku siç thuhet në një njoftim të departamentit amerikan të shtetit, po qëndron për të inkurajuar qeverinë e Kosovës “që të përparojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të forcojë sundimin e ligjit, të nxisë rritjen ekonomike dhe të kapërcejë sfidat rajonale në të mirë të qëndrueshmërisë dhe integrimeve perëndimore”.

Zoti Mitchell tha se fakti që udhëtimi i tij i parë në rajon fillon me Kosovën dëshmon se Shtetet e Bashkuara kanë miqësi me Kosovën dhe do të vazhdojnë ta thellojnë atë.

“Dua ta ritheksojë në këtë ndalesë të parë se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike dhe për t’u ri angazhuar për të mbështetur rrugën euroatlantike për Ballkanin Perëndimorë”, tha zoti Mitchell.

Ai tha se Kosova ka përpara hapa me rëndësi përpara përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmbylljen e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe transformimin e Forcave të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese. Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë vetoje në çështjet e sigurisë së Kosovës.

Zoti Mitchell tha se këtë do t’ua bëjë të qartë edhe bashkëbiseduesve të tij në Beograd, ku ai pritet të qëndrojë të mërkurën për të inkurajuar qeverinë serbe “që të çojë përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të bëjë reformat e duhura për të përmbushur synimin për anëtarësimin në BE dhe të mbështesë qëndrueshmërinë rajonale”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por do tu bëj thirrje të dyja palëve që të punojnë së bashku në rrugën perëndimore.

Zoti Mitchell të martën do të qëndrojë në Maqedoni, në një kohë kur janë shtuar shpresat për zgjidhjen e problemit shumëvjeçar rreth emrit dhe integrimin e pritshëm të këtij vendi në strukturat euro-atlantike.

Diplomati Mitchell që mori detyrën në nëntor të vitit 2017 më pas do të vizitojë edhe Greqinë dhe Qipron.

SBASHK shpall grevë në të gjitha shkollat në Kosovë

PRISHTINË – Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK) sot mbanë grevë njëditore në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës.

SBASHK-u përmes një komunikate ka njoftuar se më 12 mars 2018, ka shpallur grevë në të gjitha institucionet arsimore të vendit, gjegjësisht në shkollat fillore, të mesme të ulëta, të mesme të larta dhe universitet duke përjashtuar çerdhet.

Sipas komunikatës greva zgjat ora 9 deri në orën 12.

SBASHK-u poashtu ka bërë të ditur se përmes dialogut me Qeverinë është duke punuar që të arrihet plotësimi i kërkesave të mësimdhënësve dhe që Ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta të marrë dritën e gjelbër dhe të shkojë në Parlament.

Kujtojmë se SBASHK-u pret që të miratohet Ligji mbi statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Kosovës për vitet e 90-ta në Parlament, me qëllim që mësimdhënësit e kohës në vitet e okupimit të arsimit në gjuhën shqipe 90’ dhe 99’ të shpërblehen.

Organizatorët e grevës kanë kërkuar që të gjithë arsimtarët të jenë nëpër vendet e tyre të punës nga ora 9 deri në 12 për të mbajtur grevën, ndërsa nxënësit nuk duhet të shkojnë në shkollë.

Haradinaj paralajmëron kompromisin me Listën Serbe, i gatshëm të gjejë gjuhën e përbashkët për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se seanca për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi duhet të mbahet javën e ardhshme.

Ai në një intervistë për RTK2,  ka bërë të ditur se janë duke vazhduar bisedimet me Listën Serbe.

“’Lista Serbe’ tani për tani po refuzon të flasë për këtë temë, por janë duke diskutuar për mundësinë që të mbështesin këtë proces. Unë e respektoj Listën, janë persona të zgjedhur nga populli, kanë autoritetin e tyre dhe janë qytetarë të Kosovës. Do të diskutoj me ta që të na ndihmojnë në lëvizjen e lirë te qytetarëve tanë. Unë jam i gatshëm të gjej një gjuhë të përbashkët me Listën Serbe dhe besoj se kjo është edhe në interes të serbëve të Kosovës, sepse edhe ata nuk kanë një pasaportë pa viza dhe nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, sipas tij, liria e lëvizjes nuk mund të bëhet me humbje të territorit apo koncesioneve. Haradinaj është shprehur i bindur se një numër i mjaftueshëm i anëtarëve të Listës Serbe do të votojnë pro demarkacionit.

Kurse, gjatë një intervistë të dhënë mbrëmë Kryeministri Haradinaj është shprehu optimist se javën e ardhshme do të kryhet çështja e demarkacionit me Malin e Zi

“Janë ndërtu shumë argumente që të kemi një votë të mjaftueshme për demarkacionin. Kemi diskutu me deputetët në radhë të parë të partive tona dhe jemi në biseda me Listën Serbe dhe mendoj se ka bazë që të votohet nga të gjithë. Besoj se javën që vjen do e përmbyllim këtë temë”, tha Haradinaj.

Mbipesha, shkaktar i shumë sëmundjeve te fëmijët

Mbipesha te fëmijët po shkaktohet nga kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Mbipesha te fëmijët vlerësohet të jetë një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare, të diabetit, si dhe të disa llojeve të kancereve, thonë profesionistë shëndetësorë

Në Kosovë nuk është bërë ndonjë hulumtim lidhur me atë se sa fëmijë obezë janë në vend, por thuhet se numri i tyre është në rritje. Kjo si pasojë e kequshqyerjes, apo marrjes së kalorive të tepërta përmes ushqimit të shpejtë.

Sami Uka, ekspert për shëndetin e nënës dhe fëmijës, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat e fëmijëve me obezitet, në disa raste ndihen menjëherë, e në disa të tjera shfaqen më vonë, si sëmundjet kardiovaskulare e të tjera.

“Obeziteti si problem i shëndetit publik, është në rritje edhe në Kosovë. Është në rritje te moshat e reja dhe faktorët janë ushqyeshmëria e keqe, si ai i shpejtë, kalorik e që i është rrek shëndetësia publike kudo në botë për kufizimin e përdorimit të tyre, si dhe jeta dembele e fëmijëve”.

“Nga kjo dominojnë sëmundjet kardiovaskulare, diabeti tip 2 si dhe sëmundjet kanceroze. Këto do të paraqiten në fazën e mëvonshme, derisa sa i përket diabetit kjo shfaqet në fazat e hershme të fëmijërisë”, thotë Uka.

Në anën tjetër, Ramush Beiqi, pediatër- kardiolog, thotë se ndonëse Kosova nuk ka bërë ndonjë hulumtim për fëmijët me obezitet, vendet e tjera dëshmojnë faktin se ka rritje të numrit të fëmijëve me obezitet ndër vite. Ai tregon edhe pasojat që shkakton obeziteti.

“Obeziteti lidhet me sëmundje kardiovaskulare. Pesha e rritur trupore dhe mosaktiviteti fizik, në kohë të mëvonshme mund të prodhojë probleme kardiovaksulare. Dhe, e dyta, yndyrat në gjak, e që kanë ndikim në provokimin e sëmundjeve kardiovaskulare”.

“Ne nuk kemi bërë ndonjë studim në Kosovë për obezitetin, por janë bërë hulumtime në vende tjera dhe gjithkund ka të dhëna se ka rritje të numrit të fëmijëve obez . Mendoj se fajin kryesor e ka prindi, pasi insiston që fëmija ta zbrazë pjatën duke i dhënë sasi të madhe ushqimi, si dhe mbyllja në dhoma e tyre me pajisje elektronike, pa aktivitete fizike e që ka ndikuar në rritjen e kësaj problematike”, vlerëson Beiqi.

Edhe Muharrem Avdiu, pediatër në Klinikën e pediatrisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ndonëse fëmijët obezë po shtohen, ndihma e mjekut nuk kërkohet me kohë, për t’i ikur këtij fenomeni. Sipas tij, fëmijët paraqiten te mjeku atëherë kur fillojnë problemet shëndetësore, e që më së shpeshti hasin në diabet.

“Kur fëmijët marrin kalori të tepërta, sigurisht ndodh obeziteti. Trendi i ushqimit të shpejtë dhe shumë kalorik, ka hyrë tashmë në meny ditore. Mendoj se duhet pasur kujdes, dhe mjekët mendoj se janë ata që duhet ta proklamojnë këtë problematikë. Mendoj se mjekët në këtë vijë janë të fundit , e që do duhej të ishin të parët në vetëdijesimin e prindërve sidomos për fëmijët e tyre. Te ne, në klinikë, kur i sjellin fëmijët, ata veçse janë në faza të sëmundjes. Mosaktiviteti fizik dhe racioni kryesor darka janë problemet kryesore”, konsideron Avdiu.

Në krahasimet afatgjate, thuhet se përderisa në vitin 2007, numri i fëmijëve që ishin https://www.evropaelire.org/a/semundja-e-diabetit-femijet-/28606412.htmldiagnostikuar me diabet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka qenë 12 raste, tre vjetët e fundit janë shfaqur nga rreth 50 raste të reja në vit me diabet. Këta fëmijë, janë të varur nga insulina.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli – Selani

    Ariana Kasapolli – Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Lista Serbe: Nuk na intereson demarkacioni, çështjen ta zgjidhin partitë shqiptare

Përfaqësuesit e Listës Serbe

Për Listën Serbe, tema e demarkacionit nuk ekziston dhe nuk paraqet kurrëfarë interesi, thuhet në reagimin e subjektit më të madh politik të serbëve të Kosovës. Sipas këtij reagimi, i cili u është drejtuar mediave, çështja e demarkacionit duhet të zgjidhet nga partitë shqiptare të Kosovës.

Po ashtu, Lista Serbe i drejtohet edhe koalicionit qeverisës, pjesë e të cilit është edhe vet, duke kërkuar që të tregohet në mënyrë korrekte.

“Lista Serbe nuk dëshiron që të instrumentalizohet në asnjë mënyrë dhe nuk e ka ndërmend që të tërhiqet nga parimet dhe qëllimet e saj, mbi të cilat edhe është formuar në mënyrë që të garantojë mbrojtjen e të drejtave të popullatës serbe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

A po fillon një epokë e re post kësaj klase politike? Nga Skënder MULLIQI

 

Kosova po hyn  në epokë të re të post kësaj klase politike .Një klase politike e cila nuk i realizojë  gadi as kerkesat elementare të qytetarëve, dhe besimin dhënë ,një klase politike e cila u zhyt në krim të organizuar dhe korrupcion , në keqpërdorime , në pasurim të pa ligjshem…Gjatë këtyre viteve të fundit partitë  janë duke përjetuar kriza të thella edhe strukturore .Qendruan gjatë në pushtet dhe shumë gjatë  nuk punuan mirë  .Bëhët fjalë për keqpërdorim të pozitës, për keqperdorime të buxhetit, për mos zhvillim ekonomik, për mos avansim të proceseve demokratike.Përsonat e caktuar në hiearkinë më të lartë shtetërore e partake u pasuruan në menyrë marramandese në kurriz të qytetarëve ,të cilët po përjetojnë ditë dhe netë shumë të vështira ekonomike -sociale , të sigurisë ,  krizë morale e kriza të tjera.Praktikisht këta u tregun lojtarë të dobët politikë, u treguan së janë  lakmitarë për pushtet apsolut si në komunizem.Punuan më shumë për vete, për familjët e tyre , për militanë partiakë …Këta nuk e meritojnë më  të jenë në eshalonin e parë politik.Disa duket së shpejt do të  largohen nga pozitat e larta qe i kan .Shumë kënd e ka kapur frika së kur të largohen të fuqishmit nga pushteti, nuk do të kënë më mundësi të qendrojnë në pozitat e larta shteterore e partake .Si pozita ashtu edhe opozita ia ruajtën mirë shpinën njera -tjetrës.Opozita në fakt është për ta kontrolluar punën e pozitës për këtë gjë nuk e bëri mirë .Dhe, natyrisht kur nuk kemi opozitë të fortë pushteti vrapon pas keqpërdorimeve ,pas realizimit të interesave  individuale.Këta nuk besuan në demokraci dhe as në pluralizëm. Gjendja në shoqëri dhe rruga nëpër të cilën po kalon është bërë rrugë e mbushur më plotë rreziqe. Nuk është veshtirë më deshifru situaten pse kemi një shumicë që po jetojnë në varfëri.

Votuesit nuk i kan menduar mirë punët , duke i votuar rregullisht strukturat e njejta partiake të cilat struktura si bartëse të pushtetit që ishin, qytetareve si kundëshpërblim për  besimin e dhënë , u dhan pak më shumë së një kore bukë! I lanë shumë familje më kuleta të zbrazëta, më frizhidera të zbrazët, I lanë më valigje të gatshme për ta braktisur vendin, duke mos i llogaritur këtu afër 20 përqind të popullatës të cilët po jetojnë sikur të ishin në Etiopi,  e jo në zemer të Evropës.Nuk kemi drejtësi dhe as ligje të cilat po e mbrojnë ashtu si duhet  njeriun e thjesht të këtij nënqielli.Ata të cilët kan menduar së do të kemi shtet të rregulluar, të zhilluar,  jetë më të mirë , shumë keq janë mashtruar.Kjo gjendje mund të zgjat më shumë që dikush ka mundësi të prêt. Askush nuk po mendon që këtë klasë politike  ta dergon në Allkatrazin famkeq , por që të skajohën duke iu lëshuar rrugë forcave progresive sigurisht së po. Largimi i tyre vullnetarë    do të ishte akti më moral i tyre .Pushteti nuk është i përjetshëm për askënd në këtë botë, siq nuk është e përjetshme  as vet jeta. Shumë  nga këta njerëz në krye të politikës  i ka shkelë koha.Shpjegimi  për këtë është i panevojshem.Veprimet për të shpëtuar demokracia e cila po vdes janë bërë të ngutshme, sikur që janë  bërë të ngutshme ndryshimet për të mirë në këtë vend. Demokracia  dhe sistemi shumpartiakë pluralist janë  garë politike, e jo luftë, ku dominojnë para së gjithash vlerat, ku dominon e mira karshi të keqës …

Arbër Zaimi: Shpend Ahmeti u betua para varrit të Astrit Deharit se nuk do ta lëshojë kurrë Vetëvendosjen

Një prej figurave të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosjes, Arbër Zaimi ka zbuluar një detaj interesant për Shpend Ahmetin, gjatë një intervistë dhënë për ABC News. Ai tha se zhgënjimi me largimin e Ahmetit nga Vetëvendosje është e madhe. Sipas tij, Kryetari i Prishtinës ishte betuar para varrit të Astrit Deharit se kurrë nuk do ta lëshojë Vetëvendosjen.

Arbër Zaimi ka goditur Shpend Ahmetin që dy ditë më parë dha dorëheqje nga gjitha funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

“Shpendi ka zhgënjyer thellësisht aktivistët tanë”, deklaroi Zaimi për televizionin tiranas, ABC News.

Ai shtoi se është e çuditshme kjo dorëheqje, pasi sipas tij, Shpend Ahmeti kishte dhënë garanca publike se nuk do të vepronte kurrë kështu.

“Z. Ahmeti para disa muajsh ishte betuar para varrit të aktivitetit Astrit Dehari se nuk do ta braktiste kurrë Vetëvendosjen”, tha ai.

Arbër Zaimi shtoi se i mbetet tashmë Lëvizjes Vetëvendosje se si do të veprojë; a do të dalë në opozitë në Komunën e Prishtinës apo si të veprojë me tej.

Ai ka zhvlerësuar politikisht nismën e Ahmetit dhe të tjerëve që pritet të formojnë një parti të re politikë.

“Unë nuk besoj se këta që po dalin mund ta dëmtojnë elektoralisht Vetëvendosjen. Kjo pasi që po të kishin ata peshën që pretendojnë që e kanë, do të garonin brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe z. Kurtit konkretisht”.

Presidenti Thaçi i ka mbetur borxh 500 mijë euro avokatit Geoffrey Nice

Gazeta Express e ka siguruar një letër që avokati britanik Geoffrey Nice i ka nisur Qeverisë së Kosovës, ku ai e tregon një histori skandaloze në të cilën është i përfshirë Presidenti Thaçi dhe ekipi i tij. Në këtë letër del në pah e vërteta edhe për librin biografik të Thaçit, ku shihet se atë Presidenti e ka paguar.

Njëra prej figurave më të dashura publike për shqiptarët e Kosovës menjëherë pas luftës, ka qenë prokurori i Tribunalit të Hagës, Sir Geoffrey Nice. Ai, po udhëhiqte gjyqin e Sllobodon Millosheviqit, personit me të urryer në Kosovë.

Nice kishte vazhduar të ishte “very nice” me shqiptarët edhe kur në një fjalim të tij të mbajtur në vitin 2011 e kishte goditur raportin e senatorit zviceran Dick Marty, që akuzonte direkt kryeministrin Thaçi, dhe gjithë hierarkinë e UÇK’së, për trafikim të organeve dhe akuza tjera mjaft bizare.

Në artikullin e tij, Nice i kishte cilësuar si të pabazuara akuzat e senatorit zviceran dhe raportin e tij si të paqëndrueshëm.

Ky kishte qenë shkaku që shefi i Qeverisë së atëhershme, Hashim Thaçi, ta kërkonte për të bashkëpunuar. Petrit Selimi, atëbotë zëvendësministër i Jashtëm, me porosi të shefit të tij, e kishte kontaktuar Sir Geoffrey’n për të punuar me Qeverinë e Kosovës, më saktësisht për Thaçin, që ishte figura kryesore e akuzuar nga Marty për trafikim organesh.
Prej asaj kohe, prej kohës kur ka ndodhur ky komunikim, gjërat në mes të Qeverisë së Kosovës, në mes të Hashim Thacit, dhe z. Nice nuk kanë rrjedhur shumë ‘nice’. Në pyetje janë pagesat. Hashim Thaci i ka mbetur borxh avokatit të njohur nga Britania e Madhe.
Gazeta Express ka siguruar një komunikim që Nice e ka bërë me Qeverinë aktuale të Kosovës. Ish prokurori i Tribunalit të Hagës duket mjaft i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.

Geoffrey Nice

“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë cështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.

Por, çfarë thuhet në këtë letër që Nice i dërgon Arifit?

Aty mësohet se Nice, me ekipin e tij, kishte bërë marrëveshje me Presidentin Thaçi, atëherë shefi i Qeverisë dhe i sulmuari kryesor nga Marty. Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.

Nice vazhdon të rrëfejë në letrën e tij së pasi ishte paguar për një kohë, papritmas i janë ndalur pagesat nga Qeveria, duke i mbetur borxh gjysmë milionë euro, të cilat tash po i kërkon.

Ai thotë se nëse kjo pagesë nuk do të kryhet, sipas marrëveshjes, ai do të flasë publikisht në media për një gjë të tillë.

Nga ky komunikim nuk dihet se sa i ka kushtuar Qeverisë së Kosovës kontrata e Thaçit me dy juristët, megjithatë në të dhënat që i dërgon Nice Qeverisë, prej nëntorit të vitit 2015 deri në fund të korrikut të vitit 2016, duhej t’i paguheshin Nice’it 327,445.86 euro, ndërsa Trompit 162.975.01 euro.

Duke mos iu bërë pagesat, Geoffrey Nice i ka shkruar Qeverisë së Kosovës dhe vetë Presidentit Thaçi, që disa herë i kishte premtuar se i paguan paratë, por kjo, siç ankohet Nice, nuk ka ndodhur edhe më tutje.

Nice shkruan se bashkë me Nevonka Tromp, që ishte hetuese në rastin e Millosheviqit, ishin angazhuar për t’i dhënë këshilla Thaçit, për t’i përgatitur fjalime, aranzhuar intervista, madje duke kontribuuar në librin autobiografik të Thaçit, për të cilin Nice thotë se ka menduar që ishte për Kosovën dhe jo vetëm për Thaçin.

Avokati tregon se kanë përgatitur një material voluminoz sekret për Qeverinë, kur Gjykata Speciale të fillonte aktakuzat e para.

“Kemi punuar që qeveria e Kosovës të mund të përgatiste materiale ku askush s’do të kishte qasje, të cilat do të përdoreshin kur individë do të akuzoheshin nga Gjykata Speciale”, ka shpjeguar Nice.

Edhe pasi pagesat nuk i janë kryer, Nice thotë të ketë vazhduar ta ndihmojë Thaçin, sidomos në pjesën e librit të Thaçit, ku flitet për akuzat rreth trafikimit të organeve.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice.

Ai thotë se e ka takuar tri herë vetëm për vetëm Hashim Thaçin, madje edhe në Presidencë dhe, sipas Nice, presidenti është zotuar se do t’i kryhen pagesat.

Në këtë letër të tij shihet se Nice është lodhur nga papërgjegjësia e udhëheqësve të vendit, e posaçërisht nga mënyra se si ata po e hidhnin topin sa të njeri sa të tjetri. Për këtë arsye ai kishte vendosur që t’u shkruante të gjithëve përnjëherë.

“Duke ju përfshirë të gjithëve, më nuk do të jetë e mundur që t’i ikni përgjegjësive vazhdimisht” u ka thënë Nice, Enver Hoxhajt, Petrit Selimit, Abelard Tahirit, ambasadorit Lirim Greiçevci, Aridan Arifajt dhe Bashmir Xhemajt.

“Gjithashtu po i dërgoj edhe ambasadorit Ruairi O’Connell, i cili ka bërë përpjekje, që në emër tonë, ta zgjidhë çështjen”, thotë më tej Nice.

Express ka kontaktuar të premten ambasadorin O’Connell për ta pyetur nëse këtë çështje e ka adresuar te Qeveria e Kosovës. Ambasadori ka thënë se kjo nuk e përfshinë atë.

“Kjo është një çështje mes Qeverisë së Kosovës dhe z. Geoffrey Nice”, ka thënë shkurt O’Connell.

Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë, kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thacin, Suzy Jagger, që po ashtu është dashur të paguhej.

Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo cfarë Presidenti Thaci ka dashur ta paraqes si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qënë një libër i porositur dhe i paguar nga ai.

“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati presidentit.

“Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyc në punën që është kryer me këta individë”, shkruan më tej Nice.

Në këtë pikë Nice aludon që Thaci dhe ekipi i tij e kishin anashkaluar atë, duke i kryer pagesat për libër në rrugë të tjerë. Nuk dihet se në cfarë rrugë janë kryer ato pagesa.

Ndërsa, Pleurat Halili, siç shkruan Nice, do të angazhohej që të siguronte një sistem të mbyllur me anë të të cilit do të barteshin materialet që Nice dhe Tromp i kishin mbledhur e të cilat do t’i duheshin Kosovës kur Gjykata Speciale të fillojë me akuza. Mirëpo, Halili papritmas kishte shkëputur kontaktet dhe më nuk u ishte përgjigjur atyre.

“Ishim duke pritur për një njoftim nëse ishte siguruar hapësira e sigurt për të bartur materialin, por ne kurrë nuk u njoftuam nga Pleurat Halili për dhe pas një kohe z. Halili shkëputi komunikimin me ne pa na dhënë asnjë shpjegim”

Nice beson që Thaçit do t’i duhet edhe njëherë. Pas raportit të Dick Martyt, avokati pret që Presidenti ta kontaktojë kur Gjykata Speciale të ngreh aktakuzat e para.

“Unë e kuptoj se Hashim Thaçi mund ta ketë qëllim që të bashkëpunojë me mua kur të bëhet e ditur se kush do të akuzohet nga Gjykata Speciale”, i ka shkruar Nice qeverisë së tanishme.

Avokati i ka shkruar për herë të fundit edhe Presidentit Thaçi, ku i ka treguar se në një gjykatë të Kosovës ka nisur rasti për faturat e papaguara dhe ku e informon se po e prishë e kontratën.

“Prej 2016’ës ne jemi duke shkuar nëpër një proces për të marrë borxhin sipas ligjit të Kosovës”, i ka shkruar Nice, Thaçit.

Madje, Nice, në fund të letrës e kërcënon, duke thënë se edhe pse ka heshtur deri më tani,  në rast se nuk i bëhet pagesa, do të detyrohet ta bëjë publike, e kjo sipas tij, do të dëmtojë imazhin e Kosovës.

Gazeta Express ka kontaktuar Avni Arifin për të pyetur nëse Qeveria i është përgjigjur kërkesave të avokatit britanik.

Arifi thotë se edhe përkundër që Geoffrey Nice i është drejtuar Qeverisë, për çështjen që ka të bëjë me marrëveshjen e Thaçit me avokatin, përgjigjen Presidenca dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Presidenca për javë të tëra nuk i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Express rreth angazhimit të Nice nga Thaçi, ndërsa Jetlir Zyberaj  nga Ministria e Punës së Jashtme ka thënë se nuk ka informacione rreth çështjes në fjalë. /Express/

Asociacioni, temë e radhës në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Maja Kocijançiq

Zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që pa vonesa ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Maja Kocijançiq, zëdhënse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit ka thënë se dialogu në nivelin teknik, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të vazhdojë pas 10 ditësh.

“Marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen. Puna në këtë drejtim po vazhdon. Presim rol konstruktiv nga të dyja palët”, ka thënë Kocijançiq.

“Nga fillimi kemi qenë të qartë ndaj dyja palëve që marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet pa asnjë vonesë”, ka deklaruar ajo. Njëherësh, Kocijançiq ka rikujtuar edhe marrëveshjet tjera që nuk janë implementuar, duke veçuar atë për energjinë.

Ajo ka konfirmuar edhe mbajtjen e raundit të ri të bisedimeve në Bruksel, nga 19 deri më 21 mars.

Ditëve të fundit, zyrtarët në Beograd kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut pa themelimin e Asociacionit është i pakuptimtë.

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin paralajmëron se Lista Serbe mund ta rrëzojë qeverine

Ministri serb i mbrojtjes, Aleksandar Vulin ka kërkuar nga Lista Serbe që ta rrëzojë qeverinë e Kosovës, nëse nuk formohet bashkësia e komunave me shumicë serbe.

Ai në TV Pink tha se marrëveshja e Asociacionit është arritur në Bruksel, dhe nga ajo nuk do të ndryshohet asnjë pikë.

“Nëse Prishtina nuk është në gjendje ta zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, atëherë Lista Serbe duhet ta rrëzojë qeverinë”, tha Vulin, transmeton lajmi.net

“Nëse ata nuk janë në gjendje ta mbajnë fjalën, atëherë duhet të ketë zgjedhje. Asociacioni është marrëveshje e Brukselit, dhe nuk mund të rinegociohet”, tha ministri serb.

Sipas Vulinit, nëse ndërkombëtarët nuk reagojnë atëherë Serbia duhet ta shqyrtojë pozicionin e saj.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme tha se Asociacioni duhet të themelohet.

Madje paralajmëroi që nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, do të shqyrtohet edhe dialogu Kosovë-Serbi./B92

LIBRI i Madeleine Albright: Millosheviçi vrau 10 mijë shqiptarë, si e ndalëm konfliktin në Kosovë

Albright: Millosheviçi vrau 10 mijë shqiptarë, si e ndalëm konfliktin në Kosovë

Dyshja Clinton-Albright do të kishin një rol vendimtar në mbylljen e konfliktit në Kosovë, që shkaktoi sipas Albright 10 mijë të vrarë dhe qindra mijë të ndjekur nga shtëpitë e tyre. Zgjidhja e këtij konflikti, përpjekjet e vazhdueshme për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Kosovë, është padyshim pjesë e këtij libri, ku ishSekretarja e Shtetit amerikan merr përsipër të rrëfejë dhe të trajtojë tema delikate. “Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon. Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës.

Madeleine Albright me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova
Madeleine Albright me ish-Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova

Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq. Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara”, shkruan Clinton në parathënien që shoqëron librin. Duke iu përmbajtur temave që trajton, libri është konceptuar në tri pjesë.

Së pari “Zoti, liria, vendi”, për të vijuar me “Kryqi, gjysmëhëna, ylli”, ku gjejmë “Iraku: pasoja të pamenduara”, “Përballja me Al Kaedwn”, “Dilema saudite”, “Demokracia arabe”, “Islami në Perëndim” etj. Ndërsa pjesa e tretë i është rezervuar “Reflektimeve të fundit”. al.mi

MADELEINE ALBRIGHT

Gjatë viteve të fundit, Shteteve të Bashkuara u është dashur të përballen me çështjen e “luftës së drejtë” në Afganistan dhe Irak. Si Sekretare Shteti jam ndeshur me një sfidë të ngjashme në Ballkan. Në fillim të viteve ‘90, diktatori serb, Sllobodan Millosheviç, kish nisur tri luftëra të pasuksesshme: kundër Sllovenisë, kundër Kroacisë dhe kundër Bosnjës. Në vitin 1999, ai e drejtoi armiqësinë e tij kundër shumicës etnike shqiptare në Kosovë, provincë e Serbisë.

Gjatë një viti studiova çdo rrugë të mundshme për të siguruar një zgjidhje diplomatike që të respektohej nga të dy palët. Shqiptarët më në fund e pranuan propozimin tonë; Millosheviçi e refuzoi, duke ndërsyer forcat e tij të sigurimit kundër popullsisë civile. Interesi i tij ishte t’i dëbonte shqiptarët nga Kosova, duke vrarë udhëheqësit e tyre, duke djegur fshatrat e tyre dhe duke përhapur terror. Qëllimi i tij ishte që problemin e Kosovës “ta zgjidhte” një herë e përgjithmonë. Duke qenë se provinca ishte pjesë e Serbisë, krimet e Millosheviçit nuk mund të karakterizoheshin si agresion ndërkombëtar. Asnjë anëtar i NATO-s nuk po sulmohej, kështu që Aleanca nuk mund të pretendonte të përdorte të drejtën e vetëmbrojtjes.

Nga eksodi kosovar ne 1999
Nga eksodi kosovar ne 1999

Serbia nuk kishte kërcënuar të pushtonte një vend tjetër, kështu që nuk kishte arsye për një goditje parandaluese. Megjithatë, ne e kishim për detyrë “të mbronim tjetrin e pambrojtur”. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë, e cila kërkonte tërheqjen e trupave plaç- kitëse serbe, por diplomatët rusë, historikisht në anën e vëllezërve të tyre sllavë, premtuan se do të vinin veton për çdo masë që autorizonte përdorimin e forcës për ndaljen e serbëve. Kjo gjë e vuri administratën e Clinton-it dhe NATO-n përpara një zgjedhjeje të vështirë. Ose të lejonim Rusinë të përdorte veton me të cilën na kish kërcënuar, duke mos na lënë të vepronim, ose të përdornim forcën për të shpëtuar popullin e Kosovës edhe pa lejen e shprehur të Kombeve të Bashkuara. Punova tej mase shumë dhe ia dola mbanë për përdorimin e variantit të dytë.

Arsyet e mia ishin pjesërisht strategjike: Europa nuk do të ishte asnjëherë plotësisht në paqe, për sa kohë që Ballkani të ishte i pastabilizuar dhe Ballkani nuk do të ishte i stabilizuar për sa kohë që Millosheviçi do të ishte në pushtet. Gjithsesi, motivi im kryesor ishte moral: Nuk doja të shihja të vriteshin njerëz të pafajshëm. Prania e NATO-s në Europë na dha mjetet për të ndalur spastrimin etnik në atë kontinent, ndërsa unë shpresoja se duke bërë këtë, do të ndihmonim që krime të tilla të mos ndodhnin edhe gjetiu.

Kjo ishte realisht një nga ato kohë kur, për t’u bërë jehonë fjalëve të Martin Luther King-ut të Ri, qëndrimi ynë do të bazohej jo në atë që ishte e sigurt, por në atë që ishte e drejtë. Nisur nga fakti që ne nuk kishim një mandat të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për veprime ushtarake, u përpoqëm veçanërisht shumë të provonim drejtësinë e kauzës sonë. Së pari, administrata e Clinton-it siguroi mbështetjen unanime të NATO-s.

libri i albright

Së dyti, unë mbaja kontakte të vazhdueshme me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i cili u dakordësua publikisht me ne se veprimet e serbëve ishin moralisht të papranueshme.

Së treti, objektivat e NATOs gjatë luftës kontrolloheshin nga avokatë ushtarakë, të cilët e krahasonin secilin prej tyre me standardet e përcaktuara nga Konventat e Gjenevës. Në çdo rast bëhet një vlerësim për të parë nëse vlera e objektivit ishte më e madhe se risqet potenciale ndaj civilëve. Teksa lufta përparonte, ne shtuam presionin ushtarak ndaj Beogradit, por ndërkohë bënim kujdes për të minimizuar numrin e viktimave në njerëz dhe plagosjet e panevojshme të tyre.

Tri objektiva civile (Ambasada kineze, një tren pasagjerësh dhe një kolonë me refugjatë) u goditën gabimisht. Vlerësimet për numrin e civilëve të vrarë nga bombardimet tregojnë se ata ishin nga 500 deri në 2000. Ndërsa Serbët, përpara se të arrinim t’i ndalnim, vranë rreth 10.000 shqiptarë të Kosovës dhe përzunë qindra mijëra të tjerë nga shtëpitë e tyre. Gjatë gjithë luftës, ne vazhduam përpjekjet diplomatike për të vendosur paqen. Më në fund, këto përpjekje u kurorëzuan me sukses. Millosheviçi kapitulloi; serbët i tërhoqën forcat e sigurimit nga Kosova; refugjatët u lejuan të ktheheshin; në vend u vendos një forcë paqeruajtëse e kryesuar nga NATOja dhe Kombet e Bashkuara arritën të kontribuonin në rindërtimin e vendit, i cili që atëherë ka organizuar disa raunde zgjedhjesh demokratike.

Farat e konfliktit në Kosovë, sikurse edhe në luftërat e kahershme që kishin ardhur si pasojë e shpërbërjes së Jugosllavisë, kishin qenë të mbjella në historinë fetare të rajonit. Duke mbrojtur kauzën e Serbisë, Millosheviçi do të më thoshte se populli i tij kishte mbrojtur “Europën e Krishterë” për shekuj të tërë. Historia kombëtare epike e Serbisë është një rirrëfim i betejës së Kosovës, e zhvilluar kundër turqve otomanë në Fushën e Mëllenjave më 1389. Sipas legjendës, Princit Lazar të Serbisë i ishte shfaqur Profeti Elia në ditën fatale.

Elia i kish ofruar princit të zgjidhte midis fitores në betejë (dhe një perandorie në tokë) dhe disfatës (kompensuar me një vend në parajsë).Princi zgjodhi fitoren e përjetshme në parajsë. Është një histori frymëzuese, një histori që ka luajtur një rol në vendimin e guximshëm të serbëve për t’u rezistuar nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Problemi është se disa serbë vazhdojnë të jenë të vendosur të hakmerren për disfatën e pësuar në Kosovë më shumë se 600 vjet më parë, të motivuar nga një ndjenjë e egër nacionalizmi dhe besimi se kanë një marrëdhënie të veçantë me Zotin. Ndërsa në Kosovë lufta vazhdonte, Václav Havel-i do ta karakterizonte me këto fjalë: Nëse mund të thuash se një luftë është etike apo se ajo po zhvillohet për shkaqe etike, atëherë kjo është një prej atyre luftërave.

Clinton mes refugjatëve kosovarë në Shkup
Clinton mes refugjatëve kosovarë në Shkup

Kosova (ndryshe nga Kuvajti) nuk ka puse nafte për t’u lakmuar; asnjë nga kombet anëtare të Aleancës nuk ka ndonjë pretendim territorial ndaj saj; Millosheviçi nuk kërcënon integritetin territorial të ndonjërit prej anëtarëve të Aleancës. E megjithatë, Aleanca hyri në luftë. Ajo lufton sepse është e shqetësuar për fatin e të tjerëve. Ajo po lufton, sepse asnjë njeri i mirë nuk mund të rrijë e të bëjë sehir vrasjet sistematike të popujve të tjerë nën drejtimin e qeverisë…

Kjo luftë i vendos të drejtat e njeriut mbi të drejtat e shteteve. Shumica jonë do të pajtoheshin me faktin se morali, ndonëse shpesh i vështirë për t’u përcaktuar, është thelbësor për të shkuar mirë me njeri tjetrin. Ne do të ndiheshim më të sigurt në një botë, ku ndërgjegjja do të shërbente si udhërrëfyesi kryesor i veprimeve të kombeve dhe të individëve. Po feja? Feja është ndoshta ndikimi i vetëm më i madh në formimin e ndërgjegjes njerëzore, e megjithatë, ajo është njëherazi edhe një burim konfliktesh dhe urrejtjeje. Pas asaj që pamë të ndodhte në Ballkan dhe në rajone të tjera të shkatërruara nga konflikte me bazë fetare, a mund të themi se feja është diçka që duhet ta kemi më me bollëk?

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

NGA WILLIAM J.CLINTON

Si përdoret besimi fetar për pushtet personal

Gjatë kohës që Madeleine Albright ishte Sekretare e Shtetit, bota mësoi atë që unë ndërkohë e dija: ajo nuk druhet të marrë përsipër çështje të vështira apo të thotë atë që mendon.

Në librin “Të Fuqishmit dhe i Plotfuqishmi”, ajo shkruan me një sinqeritet të pazakontë dhe një logjikë të shëndoshë për rolin ndërkombëtar të Amerikës, për fenë, etikën dhe gjendjen aktuale të përçarjes dhe pështjellimit të botës.

Në dijeninë time, asnjë Sekretar i mëparshëm Shteti nuk ka shkruar diçka të ngjashme me të. Është një libër befasues, i shkruar mes këshillave të miqve të shqetësuar se mos tema të tilla nuk mund të diskutohen pa shkaktuar dhimbje. Në përvojën time, e vetmja mënyrë për të mos shkaktuar dhimbje është të rrish duarkryq.

Madeleine Albright është mishërimi i lëvizjes përpara. Pas bisedës sonë të parë rreth këtij projekti, i telefonova Madeleine-s për të diskutuar më tej për të, duke mos e ditur se ku ndodhej në atë çast. Doli se ishte në Gdansk të Polonisë, duke kremtuar njëzetë e pesë vjetorin e Solidaritetit, lëvizjes për demokraci që i dha fund Luftës së Ftohtë dhe solli lirinë në Europën Qendrore dhe Lindore. Kur i rashë telefonit, Madeleine ndodhej në mesin e një turme ku ishte edhe ish-presidenti çek, Vaclav Havel, dhe presidentët aktualë të Ukrainës dhe Polonisë.

Ajo ua kaloi telefonin atyre dhe kështu pata rastin e paparashikuar, por të mirëpritur, të bisedoja me disa miq të vjetër. Ndërkohë, Madeleine vendosi një buqetë me lule në përkujtim të Solidaritetit dhe mori pjesë në një meshë të hapur në kremtim të lirisë, që zgjati tri orë. E kisha kapur në një moment dhe në një vend kur Zoti dhe demokracia ndodheshin përkrah njëri-tjetrit, në qendër të vëmendjes.

Një nga temat e këtij libri dhe burim polemikash të vazhdueshme në jetën publike, ka të bëjë me marrëdhënien midis tyre. “Elementi fetar është themeli i demokracisë”, do të shkruante Walt Whitman, “Të gjitha fetë, të vjetra dhe të reja, janë aty”. Unë besoj se të gjithëve na ka ndodhur që të takojmë njerëz që do të ishin të gatshëm të përqafonin fjalinë e parë të Whitman-it dhe të shpërfillnin të dytën, duke i bërë kështu të dyja fjalitë të pakuptimta. Në më të mirën e tyre, të dyja, feja dhe demokracia, respektojnë barazinë dhe vlerën e çdo qenieje njerë- zore: ku të gjithë jemi shëmbëlltyra të Krijuesit, ku secili është pajisur me të drejta të patjetërsueshme. Këto doktrina rrinë mirë përbri njëra-tjetrës; ato janë njëjtësuese dhe përfshirëse. Problemet dalin kur interpretimin tonë orvatemi ta vëmë përpara atij të Whitman-it, duke argumentuar se ata që kanë të njëjtën ide të caktuar si ne rreth universit, janë më me vlerë se të tjerët. Të kesh një fe, është të besosh në ekzistencën e të vërtetës absolute.

Por, të pohosh se qeniet njerëzore, sikundër janë, të papërsosura, mund ta zotërojnë plotësisht këtë të vërtetë apo se ideologjia jonë politike është plotë- sisht e vërtetë dhe na lejon të penalizojmë, shtypim, apo abuzojmë ata që kanë një besim të ndryshëm prej nesh, është një gjë krejtësisht tjetër. Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara krijoi diçka vërtet të re: një sistem qeverisjeje, në të cilin besimi më i madh nuk u jepet zyrtarëve të lartë, pushteti i të cilëve kufizohet nga një sistem mjeshtëror kontrollesh dhe ekuilibrash, por popullit, si një i tërë. Ndër kufizimet që etërit tanë u vendosën atyre që janë në pushtet, është pamundësia për të vendosur një fe zyrtare shtetërore apo për të kufizuar të drejtën e gjithkujt për të qenë i lirë në zgjedhjen e besimit. Etërit themelues e kuptuan nga historia se përqendrimi i autoritetit politik dhe fetar në të njëjtat duar mund të ishte helmatisës. Sigurisht, ne e dimë se shpesh, pushteti i fesë shfrytëzohet nga ata që kërkojnë të forcojnë pushtetin e tyre personal në dëm të të tjerëve.

Në Ballkan, Slobodan Millosheviçi fliste shumë për mbrojtjen e Europës së krishterë, por interesi i tij i vërtetë ishte ta përdorte fenë dhe përçarjen ekstreme për forcimin e pushtetit të tij. Osama bin Ladeni hiqet si mbrojtës i Islamit, por gatishmëria e tij për të vrarë njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe myslimanë të tjerë, nuk është një interpretim i drejtë i Kuranit dhe nuk është besnik ndaj atij besimi. Në duar të gabuara, feja shndërrohet në një levë që përdoret për të armiqësuar një grup njerëzish ndaj një grupi tjetër, jo për shkak të ndonjë besimi të thellë shpirtëror, por sepse mund të ndihmojë këdo që kërkon të ngjallë armiqësi. Mos vallë kjo do të thotë se politikëbërësit duhet të përpiqen që fenë ta mbajnë të izoluar nga jeta publike?

Sikundër argumenton Madeleine Albright, përgjigja e kësaj pyetjeje është një “Jo” kumbuese. Ne duhet jo vetëm të mos e bëjmë këtë, por edhe nëse do ta provonim ta bënim, nuk do t’ia dilnim mbanë. Bindjet fetare, kur janë bindje, nuk mund të vishen e zhvishen si të ishin një palë galloshe. Ne i mbartim ato me vete ngado që shkojmë, skeptikë dhe ateistë, përkrah besimtarëve. Një president apo një sekretar shteti duhet të marrë vendime, duke pasur parasysh besimet e tij fetare dhe ndikimin që këto vendime kanë te njerëzit e besimeve të ndryshme. Gjithsesi, sikurse Madeleine Albright vë në dukje, vlerësimi i këtij ndikimi nuk është punë fort e lehtë. Gjatë vizitës sime në Indi në vitin 2000, disa radikalë të zemëruar do të shfrenin tërbimin e tyre, duke vrarë me gjakftohtësi tridhjetë e tetë sheikë.

Nëse nuk do ta kisha ndërmarrë atë udhëtim, viktimat me siguri do të ishin ende gjallë. Nëse nuk do ta kisha bërë atë udhëtim nga frika e asaj që mund të bënin ekstremistët, nuk do të kisha kryer detyrën si President i Shteteve të Bashkuara. Natyra e Amerikës është e tillë që shumë njerëz e përcaktojnë veten – ose një pjesë të saj – në lidhje me të, ose pro ose kundër. Kjo gjë është pjesë e realitetit, në të cilin ne si udhëheqës duhet të veprojmë.

Kur imamët radikalë orvaten të shkatërrojnë mënyrën e të menduarit të disa të rinjve të tjetërsuar, të pakënaqur, ndër të cilët jo të gjithë janë të varfër dhe të paarsimuar, përmes ofrimit këtyre besimtarëve një udhëtim të ashtuquajtur të menjëhershëm në parajsë, në këmbim të gatishmërisë së tyre për të vrarë civilë dhe njëherazi për të hedhur në erë edhe vetveten, si duhet të reagojmë ne? Ne mund të përpiqeshim t’i kapnim ose vrisnim ata, por gjithsesi, të gjithë nuk do të mundnim t’i zinim. Mund të përpiqeshim t’i bindnim të hiqnin dorë nga dhuna, por kur argumentet tona nuk kanë asnjë lidhje me përvojat e tyre, nuk do të mund t’ia dilnim dot mbanë.

Mundësia më e mirë që kemi është të punojmë së bashku me ata njerëz në botën myslimane, të cilët përpiqen të kapin mendjet e të njëjtëve njerëz si edhe radikalët, duke predikuar një Islam më të plotë dhe jo një Islam të shtrembëruar, të copëtuar, me thepa. Unë besoj vërtet se një gjë e tillë mund të bëhet jo duke dobësuar besimet shpirtërore, por duke u futur në thellësi të këtyre besimeve.

Të tre besimet e Abrahamit kanë më shumë ngjashmëri se sa dallime, ku secili bën thirrje për nderim, zemërgjerësi, modesti dhe dashuri. Asnjë prej tyre nuk është i njohur plotësisht prej nesh. Sfida e udhëheqësve tanë është të përdorim atë që kemi të përbashkët si bazë për të mposhtur elementët më ekstremistë dhe për t’i hequr mbështetjen terrorizmit. Kur njerëzit e pranojnë humanizmin e tyre të përbashkët, atëherë bëhet më e vështirë të dejonizojnë dhe shkatërrojnë njëri-tjetrin.

Është shumë më e lehtë të gjesh kompromise parimore me njërin nga “ne”, se sa me njërin nga “ata”. Besimi fetar mund të na ndihmojë të zhdukim vijën ndarëse të vjetër sa koha. Nuk ka detyrë më të rëndësishme, por siç e bën të qartë edhe libri i Madeleine Albright-it, kjo është një detyrë që – katër vjet e gjysmë pas 11 shtatorit – ne pothuaj as që e kemi zënë me dorë.

Pacolli: Kosova në agjendë për t’u bërë pjesë e INTERPOL-it

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka thënë për Gazetën Express se Kosova tanimë është në agjendë për t’u pranuar në INTERPOL. Edhe pse kryeministri Ramush Haradinaj, me të marrë mandatin, kishte vendosur që Kosova të heqë përkohësisht kërkesën për anëtarësim në këtë organizatë, Pacolli thotë se tani janë pjekur kushtet dhe se Kosova s’ka qenë asnjëherë më afër që të jetë pjesë e INTERPOL-it

Zv. kryeministri Pacolli, njëherësh edhe ministër i Jashtëm, pohon se Kosova ka lëvizur para në rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.

Në një bisedë të shkurtër me Express, Pacolli ka thënë se Kosova veçse është pjesë e agjendës për t’u bërë pjesë e kësaj organzate.

Kryeministri Haradinaj kishte çuditur e ishte kritikuar jo pak kur kishte vendosur që të tërhiqte kërkesën për anëtarësim në INTERPOL, para gjashtë muajve. Megjithatë, nga atëherë, Pacolli thotë se është bërë punë në anëtarësimin e Kosovës.

“Kosova në agjendë për t’u pranuar në INTERPOL. Kjo është shenja e parë se Kosova do të anëtarësohet në INTERPOL, për çka ne kemi punuar shumë”, ka thënë Pacolli për Gazetën Express.

Kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që të shtynte aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, me arsyetimin se Kosovës do t’i mungonin votat nga disa shtete dhe se nuk dëshironte të përsëritej e njëjta histori si me anëtarësimin në UNESCO.

Ishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, i kishin kërkuar Haradinajt të mos aplikonte sepse Kosova nuk e kishte përkrahjen e nevojitur dhe se nuk do të siguronte votat pro anëtarësimit.

Procedura me të cilën VV-ja mund ta largojë Shpend Ahmetin nga pozita e kryebashkiakut

Ata kanë nisur të shpërndajnë nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale ku precizohet largimi i kryetarit të Komunës.

Sipas këtij ligji, “qytetarët e Komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës”.

Bazuar në këtë ligj edhe më tej, një kërkesë e tillë për largimin e kryetarit të Komunës duhet të nënshkruhet nga njëzetë (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të Kuvendit të Komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

“Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet”, thuhet në pikën e tretë të Nenit 72.

Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale

Ndryshe, Shpend Ahmeti në letrën e dorëheqjes nga funksionet e tij në Vetëvendosje ka thënë se javëve të fundit ka kuptuar shumë gjëra për të cilat ka thënë se nuk i ka ditur më parë.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo, kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më”, shkruan në letrën e Ahmetit.

Ai ka thënë se mospajtimet kanë dëmtuar frymën dhe rrjedhimisht dhe kauzën e VV-së.

“Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mirë, e të tjerët e kanë keq”, thuhet më tej në letrën e Ahmetit.

Vetëvendosja ka kohë që është futur në “telashe” të cilat kanë rezultuar me largimin e dhjetëra anëtarëve të kësaj partie, përfshirë zyrtarë të lartë dhe drejtues të këtij subjekti politik.

“Komuniteti serb i pakënaqur nga politika e Serbisë ndaj Kosovës”

Trajkoviç theksoi se serbët në Kosovë kanë nevojë për secilin pushtet në Beograd, por që duhet të ketë një presion politik pozitiv ndaj qeverisë për të bërë më të mirën

LLAPNASELLË – Në tryezën e rrumbullakët në Llapnasellë, në afërsi të Graçanicës, me temën “Kosova dhe ndryshimet politike apo…”, disa pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë paraqitën një sërë kundërshtimesh ndaj politikës që shteti i Serbisë po udhëheq ndaj Kosovës, me ç’rast theksuan problemin e marrëdhënieve të këqija serbo-serbe.

Në tryezën e rrumbullakët të cilën e organizoi Forumi Kombëtar Serb, morën pjesë Sekretari i Shtetit të Serbisë, Nikola Selakoviç, Zëvendës drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Dushan Kozarev, kryetari i Listës Serbe Goran Rakiç, Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri i Komuniteteve dhe Kthimit Dalibor Jevtiç, kryetari i Graçanicës Srdjan Popoviç, Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë të Serbisë, Branimir Stojanoviç dhe shumë përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile nga komuniteti serb në Kosovë.

Në pjesën e parë diskutimit tre orësh, i cili ishte e hapur për opinionin, Momçillo Trajkoviç, një nga themeluesit e Forumit Kombëtar Serb, tha se tryeza e rrumbullakët nuk ka të bëjë me dialogun e brendshëm mbi Kosovën që momentalisht po zhvillohet në Serbi me iniciativën e presidentit serb Aleksander Vuçiç, por për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë.

Trajkoviç bëri një vërejtje se në terren në Kosovë ndërmjet serbëve zbatohet politikë partiake. Ai paraqiti tezën e tij se duhet të krijohet një politikë autentike serbe në Kosovë, e cila do të jetë një faktor në marrjen e vendimeve.

Ai gjithashtu kritikoi listat e përfaqësuesve politikë të serbëve në Kosovë, të cilat siç tha, nuk e kanë fuqinë politike dhe intelektuale për t’u marrë me politikë. Në të njëjtën kohë, ai theksoi problemin e territorit, duke thënë se Strategjia e re e Serbisë për Kosovën duhet të udhëhiqet me logjikën e shqiptarëve që mendojnë më shumë për territorin se sa për pushtetin.

Trajkoviç theksoi se serbët në Kosovë kanë nevojë për secilin pushtet në Beograd, por që duhet të ketë një presion politik pozitiv ndaj qeverisë për të bërë më të mirën.

Anëtarët e tjerë të Forumit Kombëtar Serb, përmes Zhivorad Laziç dhe Aleksandar Stojanoviç, nënvizuan problemin e presioneve dhe kërcënimeve ndaj të gjithë atyre serbëve të Kosovës që nuk janë pjesë e Partisë Përparimtare Serbe, duke kritikuar autoritetet aktuale serbe dhe Listën Serbe.

Folës të tjerë në tryezë potencuan gjithashtu problemin që për letërnjoftimet serbe duhet të udhëtojnë në Nish, që në Kosovën qendrore nuk kanë më fakultete në gjuhën serbe si dhe problemin e shitjes së përhershme të pronës serbe në Kosovë. Më tej është potencuar mungesa e transparencës në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel dhe heqja e institucioneve serbe në Kosovë si dhe gjyqësori.

Pas paraqitjes së 17 serbëve të Kosovës, Nikola Selakoviç, Sekretari i Shtetit i Presidentit serb, tha se për Serbinë është një çështje strategjike mbrojtja e interesave të popullit serb në Kosovë. Ai gjithashtu kujtoi se që nga viti 1999, “Kosova është nën protektoratin ndërkombëtar” dhe se Beogradi e ka maksimalisht hapësirën e ngushtuar për të vepruar.

Duke iu përgjigjur kritikave të shumta, Selakoviç theksoi se problemi në rritje i Serbisë është se popullsia e saj po zvogëlohet nga viti në vit, ndërsa popullsia shqiptare, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, po rritet, dhe se serbët nga Serbia duhet të ndihmojnë Kosovën dhe të gjithë serbët e tjerë.

Ai tha se shqiptarët kur ishin në situatën në të cilën sot janë serbët, nuk bënin mosmarrëveshje mes vete. Selakoviç thotë se liria e lëvizjes për serbët në Kosovë sot është shumë më e mirë se pesë vite më pare. Ai gjithashtu vuri në dukje se nuk sheh arsye për frikë në mesin e serbëve nga serbët e tjerë. Sipas tij, qeveria aktuale në Beograd në skenën ndërkombëtare lufton për çdo serb. aa

Shpend Ahmeti largohet nga lëvizja Vetëvendosje

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri të ditur të mërkurën se është larguar nga lëvizja Vetëvendosje.

Shpend Ahmeti, një nga figurat më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje, u zgjodh kryetar i Prishtinës në vitin 2013, që ishte edhe pozita e parë e lartë e fituar nga lëvizja Vetëvendosje. Ai u rizgjodh vitin e kaluar, ndërsa në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, zoti Ahmeti doli si anëtari i dytë më i votuar nga kjo lëvizje.

Në letrën e tij ai thekson se “motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në lëvizjen Vetëvendosje nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq. Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua”, thuhet në letër.

Zoti Ahmeti thotë se është munduar të luajë një rol të ndërmjetësuesit për tejkalimin e problemeve, por sipas tij kjo ishte e pamundur.

“Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kanë të drejtë në mendimin e tyre. Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre. Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera”, thuhet në letrën e tij.

Ai thotë se e ardhmja e tij do të lidhet me punët e kryetarit të Prishtinës, ndërsa nuk përjashton vështirësitë në këtë punë, pasi një pjesë e madhe e Kuvendit Komunal të Prishtinës përbëhet tashmë nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje, të cilët gjatë ditës votuan kundër raportit buxhetor të tij.

Dorëheqja e Shpend Ahmetit, pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, nga e cila që nga viti kaluar një numër i madh i anëtarëve përfshirë ish kryetarin Visar Ymeri dhanë dorëheqje.

Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit. Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin. Kjo lëvizje tashmë ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj dhe sipas vëzhguesve një ndarje brenda saj do të zbehte edhe forcën e saj në të ardhmen.

Pacolli: Do të kemi njohje të reja pavarësisht ofensivës diplomatike serbe

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. Foto nga arkivi

Rritja e numrit të njohjeve dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, mbetet një prej synimeve kryesore të Qeverisë aktuale, ngjashëm me ato parapraket.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli tha për Radion Evropa e Lirë se njohjet e reja për Kosovën janë një proces i pandalshëm. Ai tha se ka një angazhim të vazhdueshëm për të arritur rezultate konkrete.

“Praktikisht ne jemi duke punuar, të shtrirë në të gjitha anët e botë, në të gjitha kontinentet. Jemi duke punuar pandërprerë me gjithë potencialin që posedojmë. Besoj se rezultatet nuk do të mungojnë. Ne tani kemi pasur dy njohje këtë vit dhe besojmë se deri në fund të muajit do të kemi edhe një njohje tjetër. Njohjet nga shtetet e mëdha ku jemi duke punuar, nuk mund të them se mund të vijnë brenda një apo dy muajve, por janë shënjestrime të cilat duhet të ndodhin këtë vit”, tha Pacolli.

Ai tha po ashtu se si rezultat i punës dhe përpjekjeve intensive, shteti i Madagaskarit e ka njohur Kosovën në nëntor të vitit 2017, Guinea-Bissau e ka rikonfirmuar njohjen e saj dhe së fundmi, Kosovën shtet e ka njohur edhe Barbadosi.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka dy detyra kryesore sa i takon lobimit: një është që të hapë dyer të reja dhe veprimi tjetër është që t’i mbajë dyert e hapura. Pra, ato dyer që janë hapur një herë, t’i mbajë hapur. Do të thotë të bëjë përpjekje që ato shtete qe nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë, kurse me ato që e kanë njohur të kultivohen marrëdhëniet “, tha Pacolli.

Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se politika e jashtme e Kosovës, vazhdon të jetë e çakorduar dhe pa një strategji të qartë. Labinot Greiçevci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës që nga kohë kur është dhënë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, kanë humbur shumë mundësi për lobim e njohje të reja.

 

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare kur humbet momenti, atëherë normalisht që duhet një kohë që ai të kthehet. Me sa kam parë, deri tani nuk po vihet re që kemi ndonjë lëvizje strategjike e përmbajtjesore nga Ministria e Punëve të Jashtme, qoftë në këtë Qeveria apo në Qeverinë e kaluar, që të shtohet numri i njohjeve të reja dhe gjithashtu të rritet anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, tha Greiçevci.

Po ashtu, për ndaljen apo ngadalësimin e procesit të njohjeve, sipas Greiçevcit, ka ndikuar në masë të madhe edhe lobimi agresiv i Serbisë. Së fundmi, ky shtet po angazhohet edhe në planin diplomatik, duke u kërkuar shteteve të caktuara ta tërheqin njohjen e Kosovës.

“Kosova ka dështuar edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, siç është rasti UNESCO-s, dhe vihet re edhe një lloj, mbase plogështie, edhe nga ana e aleatëve tanë ndërkombëtarë për ta shtyrë përpara procesin e njohjeve të mëtejme ndërkombëtare. Me gjasë, gjithë ky proces po ndërlidhet me atë që mund të quhet si marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Edhe ministri i Jashtëm Pacolli thotë se është plotësisht i vetëdijshëm që Serbia po angazhohet në pengimin e njohjeve, e madje edhe në tërheqjen e këtyre njohjeve. Por, ai beson në kapacitetet e shtetit të Kosovës për t’i përballuar këto ofensiva diplomatike të shtetit serb.

“Serbia është zgjuar disi prej gjumit këtë vit dhe është duke punuar shumë të ato shtet të cilat e kanë njohur Kosovën, sidomos ata kanë në shënjestër shtete që janë ekonomikisht të dobëta dhe aty janë çdo ditë me diplomacinë e tyre, me potencialin që kanë krijuar enkas për këtë qëllim. I dimë lëvizjet e tyre ditore, ata janë në lëvizje dhe siç e shihni ata kanë pasur deri diku suksese, mirëpo, në thonjëza”, tha Pacolli.

Më 17 shkurt, Kosova ka shënuar jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete.

Por shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Kosovë, shfaqje teatrale për Sllobodan Millosheviçin

Një grup teatror serb, shfaqi të martën në mbrëmje në Graçanicë afër Prishtinës, një muzikal për ish presidentin serb Sllobodan Millosheviç.

Shfaqja me titull “Tregimi i Sllobodanit”, fillon me luftërat dhe përfundon me procesin gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviçit në Gjykatën për krime lufte në Hagë.

Ish udhëheqësi Jugosllav Sllobodan Millosheviç ishte përballur me më shumë se 60 akuza për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konflikteve ballkanike të viteve 90-ta, gjatë të cilave u vranë më shumë se 130 mijë njerëz. Dënimi nuk u arrit të jepej pasi që vdiq në Gjykatën e Hagës në vitin 2006 derisa po përballej me këto akuza, përfshirë edhe përgjegjësinë për mizoritë e forcave serbë gjatë luftës së viteve 1998 – 1999 në Kosovë.

Autorja e shfaqjes Jelena Bogavac, tha se me gjithë reagimet që kishte ngjallur kjo shfaqje, puna e trupit teatral nuk paragjykon figurën e Sllobodan Milosheviçit.

“Ndoshta në shoqërinë tonë ekziston ky hendek i pakryer, një konsensus i pazgjidhur për fajësinë ose drejtësinë e Millosheviqit, dhe ne si të zakonshëm nuk jemi përpjekur që në punën tonë ta vendosim atë në asnjë mënyrë”, tha zonja Bogavac.

Paralajmërimet për shfaqjen kishin nxitur edhe thirrje që ajo të mos lejohet në Kosovë, meqë, siç thuhej, “ringjallja e Millosheviçit” provokon familjet e viktimave të luftës.

Nenad Todoroviç, regjisori i shfaqjes, tha se me gjithë paralajmërimet për rrezikun, shfaqja shkoi shumë mirë.

“Unë jam i mahnitur nga pritja e audiencës, pasi tensioni para shfaqjes ishte i madh dhe unë kam pritur ose do të na mbrojë KFOR-i ose do të mbrojnë ekipi i të dashuruarve në Sllobodan Millosheviçin. Falë Zotit gjithçka ka mbaruar siç duhet, dhe për herë të parë pas premierës dhe pas 20 vjetësh pune i them faleminderit Zotit, ishte e mrekullueshme dhe nuk jemi gjuajtur me vezë apo domate”, tha regjisori Todoroviç.

Në shfaqje nuk mori pjesë asnjë udhëheqës i komunitetit serb dhe duke shprehur zhgënjimin me këtë, regjisori Todoroviç tha se Ballkani ende përballet me politika nacionaliste.

“Dëshmia se kolegët tuaj në media dhe politikanët kryesorë që udhëheqin edhe njëherë treguan se sa frikacakë janë dhe se si janë arratisur nga arti. Arti fitoi politikën e mjerueshme nacionaliste që sonte priste që të na qëllonin sepse po luajmë një pjesë të historisë dhe një të personi gjatë viteve të nëntë dhjeta në Ballkan”, tha regjisori Todoroviç.

Salla nuk ishte e mbushur e tëra dhe qytetarët e komunitetit serb kanë mendime të ndryshme për shfaqjen.

“Nuk kishte rëndësi, nuk kishte asgjë atje, ishte thjesht një manipulim i madh. Një teatër i zakonshëm politik i cili në të vërtetë na mashtroi”, tha Zhivojin Rakoçeviç.

Shfaqja paraqet jetën e Millosheviqit jo vetëm ndërmjet kundërshtarëve të tij në Serbi, por edhe në mesin e viktimave të luftërave në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në mes të viteve 1991 dhe 1999.

Sllobodan Millosheviç, mbeti një figurë popullore në mesin e një pjese të qytetarëve serb. Partia e tij u rikthye në pushtet, katër vjet pas rrëzimit të tij në vitin 2000 dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot e kësaj dite.

Dialogu i mbrendshem duhet t’i mbizotërojë radikalizmat ?! Nga Skënder MULLIQI

Në fillim të këtij shkrimi do të kisha parashtruar disa pyetje:pse gjithë kjo përqarje shoqërore apo pse gjithë kjo përqarje e skenës sonë politike? Cilët janë faktorët të cilët e sollën një gjendje të tillë?

Pse kjo ndarje në patriotë dhe tradhëtar ?E shumë pyetje tjera të cilët lidhën më zhvillimet ekonomike, më jetën e dobët të cilën po e bëjnë shumica , më izolimin e vendit dhe më shumë defekte të tjera në të gjitha sistemet. A mos e sollën programet apo qendrimet partiake një zhvillim të tillë kaq negativ të ngjarjeve të pas luftës? Sikur po bëhët luftë “të gjithë kunder të gjithëve”. Këto kan krijuar atmosferë gadi mbytëse politike .

Është krijuar atmosferë e rritjës së tensioneve politike të cilat tensione po prodhojnë edhe kriza institucionale. Nuk po merremi vesh njeri më tjetrin dhe kjo po e veshtirëson edhe më shumë situatën politike.Këto dhe shumë konstatime të tjera kan bërë që të na mungon koncensuzi nacional për shumë tema të rëndësisë shtetërore e kombëtare.Nuk kemi ndërtuar koncenzus për një sistem të drejtësisë shumë më funksional , po na mungojnë prioritetet në politikën e jashtme dhe atë të mbrendshme , kemi mungesë identiteti , nuk kemi një politikë ekonomike dhe sociale konformë modelit capitalist modern, për të cilin sistem edhe jemi përcaktuar.

Shumë po largohemi dhe nuk po e respektojmë as Kushtetutën e cila është bibel për secilin shtet demokratik.Po na mungon edhe kultura patriotike e cila lidhet më rendin kushtetues.Ai patriotizëm më shumë po është verbal së sa po tregohemi patriot në praktikë.Patriotizmi po na shërben si një parullë për ta mbuluar mos punën , abuzimët, krimin dhe korrupcionin të cilat dukuri e kan pru gjedjën e rëndë politike dhe ekonomike.Është bërë tashmë shumë e qartë së mund të pajtohemi më të gjitha këto të keqija të cilat e kan mbuluar Kosovën , me arsyetime të ndryshme shumë banale, më arsyetime së po mbrohet patriotizmi dhe kështu edhe vlerat shoqërore, e në fakt asnjera as tjera nuk po mbrohen .Qyetetarët kan mbetur më duar të lidhura të shprehëm ashtu karshi dukurive dhe ngjarjve të cilat po zhvillohen para syve te tyre .Sigurisht së ata nuk pajtohen më primitivizma , më provincializma , më hajni dhe pasurim të atyre që janë ngjitur në pushtet me meritë ose pa meritë.

Na është krijuar ambient I keq politikë veqmas kur bëhët fjalë për marrje te vendimeve të interesit shtetëror siq janë Demarkacioni, Asociacioni I Komunave më shumicë serbe, formimi I ushtrisë , lufta kunder krimit të organizuar dhe korrupcionit. Me demagogji dhe më demagogë politikë dhe ekonomik nuk arrihen objektivat në shtëtndërtim dhe në avansim të te gjitha proceseve zhvillimore. Kosova duhet të konsilidohet edhe në kuptimin etno-kulturor .Vetëm unik e jo duke e kundershtuar njeri –tjeterin edhe mund ta tejkalojmë situatën në të cilën kemi rënë .Konsolidimi i shtetit kërkon revidime edhe kushtetuese përmbajtësore.Tensionet politike mund të ulën vetëm atehëre kur dakordohemi që të punojmë ndërshmerisht, të punojmë për të mirën e shumicës.

Zhvatësit , abuzuesit dhe format tjeta kriminale e korruptive do të na shëmbin për tokë si Kullën prej Letre. Ka ardhur koha e fundit që të ndërtojmë sistem në të cilin qytëtarët do të ndihen të sigurtë .Po na mungon kritika dhe autokritika si dobësi të mëdha në politikëbërje .Duhet të kthehet besimi i humbur në institucione , dezintegrimet shoqërore janë mos suksesi i atyre të cilët e drejtuan shtetin pas luftës .Nese situata në të cilën gjendemi nuk kuptohet seriozisht, edhe seriozisht po rrezikohen proceset demokratike , po rrezikohet edhe shteti i Kosovës. Skenare te errëta po bëhën për Kosovën dhe rreth Kosovës.Këto urgjentisht duhet të ndërpritën.Barabarësia para ligjit tashmë duhet të ndodhë edhe praktikisht, e jo ajo të jetë vetëm fasadë.Përgatitja për dialog të mbrendshem dhe compromise duhet ti mbizotërojë radikalizmat e theksuara.Stabiliteti bëhët vetëm nga mbrenda.Një mori punësh të mëdha janë para nesh. Nese nuk flasim për diqka që mund të jetë utopike…

Nuk ka liberalizim të vizave pa luftimin e korrupsionit

Kosova mbetet të shënojë rezultate më të prekshme në luftën kundër korrupsionit për ta bindur Bashkimin Evropian se ky kriter i përcaktuar për liberalizimin e vizave do të konsiderohet i përmbushur, thonë njohës dhe monitorues të çështjes anti-korrupsion.

Ndonëse luftimi i kësaj dukurie konsiderohet si kriter i vazhdueshëm, Bashkimi Evropian ka kërkuar që institucionet ta dëshmojnë me vepra konkrete se po e luftojnë atë.

Që nga muaji maj i vitit 2016, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë në zonën e Shengenit.

Nga ajo kohë, Kosova i kishte vetëm edhe dy kritere për t’i përmbushur: atë të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe kriterin e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Që nga ajo kohë dy këto kritere mbeten në plotësim e sipër, para se Kosova të marrë miratimin përfundimtar të vendeve anëtare të BE-së për liberalizim të vizave.

Rezultatet e treguara sa i takon luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, sipas Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit nuk janë të kënaqshme.

Drejtori i këtij organi, Shaip Havolli tha për Radion Evropa e Lirë se luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin e vizave, ende nuk mund të konsiderohet i përmbushur.

“Menjëherë pas aprovimit të Demarkacionit, kusht tjetër është luftimi i korrupsionit. Kështu që nuk mund të themi që të gjitha këto kushte i kemi plotësuar për të përftuar liberalizimin e vizave. Edhe bazuar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shihet se në Kosova ka një progres të theksuar, por megjithatë ende kusht kryesor është luftimi i korrupsionit nga institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë. Nuk kemi bërë edhe aq sa duhet në luftimin e korrupsionit”, tha Havolli.

Ai thotë se agjencia të cilën e drejton, ka hartuar një strategji kundër korrupsionit e cila i është dorëzuar Qeverisë dhe pret që shumë shpejt, ajo të aprovohet si strategji kombëtare.

Organizata ndërkombëtare Transparency International në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2017, radhiti Kosovën në vendin e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, parti kjo brenda koalicionit qeverisës, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shënuar progres të lehtë sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Një prej kushteve, përveç Marrëveshjes së demarkacioni të kufirit me Malin e Zi, kriter kryesor për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës mbetet edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nuk është vetëm kriter i Bashkimit Evropian, është detyrë dhe obligim i institucioneve për të përmbushur njërin nga kriteret më të rëndësishëm të sundimit të ligjit. Mendoj se ka pasur ecje pozitive këtyre viteve të fundit sa i përket këtij kriteri”, tha Deliu- Kodra.

Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, shton ajo e dëshmojnë edhe raportet ndërkombëtare.

Deliu-Kodra thotë se është vërejtur efikasitetet edhe tek korniza ligjore e Ministrisë së Drejtësisë. Ajo thotë se është një numër i madh i ligjeve që kanë ardhur në Kuvendin Kosovës e që janë të lidhur drejtpërdrejt me agjendën e integrimit evropian.

“Mbetet edhe më tutje sfidë e institucioneve që duhet të këtë mekanizma të përhershëm për t’u marrë me këtë dukuri që është e theksuar në shumicën e shteteve jo vetëm të atyre që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe shteteve që janë bërë tanimë pjesë e familjes evropiane”, thotë Deliu- Kodra.

Sidoqoftë, sundimi i ligjit, rendi ligjor, ekonomia e tregut dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit, mbeten kritere për secilin vend që aspiron integrimet evropiane duhet t’i plotësojë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi – Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Motra kërkon ndihmë nga vëllai që të kthehet nga Siria

Ermira Sekiraqa
  • Shkëlqim Hysenaj/Para katër vjetësh, Ermira Sekiraqa kishte shkuar në Siri së bashku me burrin e saj i cili u vra duke luftuar krah organizatës terroriste Shteti Islamik.

Ajo ka mbetur e ngujuar në Ain Issa të Sirisë me dy fëmijët që i lindi atje.

Ermira po kërkon ndihmë për t’u kthyer në Kosovë.

Lumi Ibër del nga shtrati, përmbytet pjesa veriore e Mitrovicës

Për shkak të shkrirjes së borës, pas reshjeve të dendura të shiut javën e kaluar, lumi Ibër ka dalë nga shtrati, gjë që ka shkaktuar përmbytje në pjesën veriore të Mitrovicës në pjesën e “ish-remontit ushtarak”.

Shërbimi informativ i komunës së Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se shërbimet profesionale janë në terren dhe po e ndjekin nga afër situatën.

Niveli i Ibrit është rritur edhe në lagjen etnikisht të përzier “Mahalla e boshnjakëve”, dhe deri te dalja nga shtrati i lumit kanë mbetur vetëm edhe 40 centimetra në këtë pjesë të qytetit.

“Përrenj dhe lumenj të vegjël të cilët derdhen në lumin Ibër, edhe pse janë të rrëmbyeshëm ende qëndrojnë nëpër shtretër të tyre, përveç në pjesën tek ish remonti ushtarak, ku lumi ka dal nga shtrati. Të gjitha shërbimet janë në teren, situata po përcillet, ende është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme, dhe gjithçka është në gatishmëri. Ndërmarrja publike komunale ka siguruar numër të mjaftueshëm të thasëve me rërë, kështu që mund të reagojmë shpejtë”, ka thënë një zyrtar i komunës.

Pazaret e fshehta politike, rrezik për shtetin! – Nga Florim Zeqa

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, siç po shihet mund të jenë shumë afër shkaku i pamundësisë së kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi si dhe humbjes së legjitimitetit të kësaj qeverie nga pamundësia e zgjidhjes së shumë problemeve të grumbulluara politike dhe sociale. Kjo situatë përveq humbjes së besimit në popull, ka çuar në humbjen e kredibilitetit të kryeministrit dhe humbjen besimit të partnerëve të koalicionit në njëri-tjetrin.
Do të ishte absurde t’i lejohet kësaj qeverie të shkojë tutje me qeverisjen e shumicës shqiptare nën prangat e listës “Srpska”, kësaj pakice e cila përveqse muk e pranon Republikën e Kosovës si shtet të vetin, e saboton dhe shkatërron nga brenda ekzisten e saj!
“Pazari” politik me Listën Serbe të Vucicit, në emër të votës për demarkacion, gjegjësisht pranimi i Asociacionin me kompetenca ekzekutive është mundësia e vetme e kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Pasojat e pazareve politike

Problemi dhe përgjegjësia bie mbi tri partitë e mëdha; LVV, PDK dhe LDK të cilat janë shkëputur nga historia e themelimit, aspektet programore dhe pikëpamjet ideologjike. Sikurse PDK-ja, që është shkëptur totalisht nga vlerat e luftës çlirimtare, ashtu edhe LDK-ja është tretur shumë largë nga vlerat rugoviane, nga tradita e respektimit të rregullave demokratike; dialogut të brendshëm partiak, tolerancës, mirëkuptimit dhe transparencës në marrjen e vendimeve.
Po ashtu nga shkaku i shkëputjes dhe largimit nga parimet e saj, nga vlerat kombëtare dhe opozitarizmit të fuqishëm në Kuvend dhe jasht tij, LVV-ja pësoj ndarjen e thellë dhe më të dhimbshme pas ngritjes në piedestal pas zgjedhjeve të fundit palamentare.
Lidhja e krerëve të VV-së me mafio-oligarkët ekonomik, nga një forcë progresive për vendin, këtë subjekt e shndërruan në korporatë profitabile për disa nga eksponentët e saj.
PDK-ja, një fraksion i dalë nga lufta çlirimtare, e shndërruar në parti politike duke u thirrur në vlerat e luftës çlirimtare, në gjakun e derdhur për lirinë e vendit,…tashmë me të dyja këmbët është duke shkelur mbi gjakun e familjes Jashari dhe mijëra dëshmorëve të lirisë.
LDK-ja e sotme nuk i ngjet më aspak formacionit politik rugovian. LDK-ja, e cila deri dje kërkonte largimin e së keqës së madhe për vendin nga pushteti, gjegjësisht PDK-në e Hashim Thaçit, sa herë që i duhet kësaj të fundit bëhet patericë e saj, duke i kthyer shpinën elektoratit dhe duke harruar të gjitha akuzat kundër kapësve të shtetit, korrupsionit, krimit të organizuar, hajnisë, kontrabandes, etj.
LDK-ja e kapur nga grupet e interesit, e bashkuar me kapësit e shtetit u shndërrua edhe vetë në uzurpatore të shtetit dhe thyerse e shpresave të qytetarëve.
Sikurse nga viti 2010 deri në vitin 2014 kur erdhi në pushtet, edhe tani në opozitë, më tepër është duke e ndihmuar klanin “Pronto” dhe PDK-në sesa kur ishte nën kurorën qeverisëse me klanin e sipërpermendur.
Me një fjalë, kjo klasë e kusarëve të pangopshëm politik brenda këtyre dy subjekteve politike,…për ruajtjen e pasurive të tyre milionshe, të krijuara përmes aferave korruptive, hajnisë dhe krimit të organizuar, janë shndërruar në binom shkatërrues të shtetit të Kosovës.
“Unë kryeministër sot, ti nesër president”, ishte marrëveshja private, e pazarit politik mes dy njerëzve të padinjitetshëm, dy figurave të dështuara, sa të njëjta po aq të kundërta politike, Thaçit e Mustafës.

Heshtja e pajustifikuar e qytetarëve

Më e rëndë se degradimi i subjekteve politike, është heshtja qytetarëve kundrejt keqeverisjes, përderisa e pajustifikueshme mbetet heshtja dhe indiferenca e popullatës kundrejt pazareve të fshehta politike për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi!
Në Kosovën e sotme, me secilin që flet veq e veq, askush nuk pajtohet me dhënjen e territorit në këmbim të liberalizimit të vizave, mirëpo kur është në pyetje bashkërendimi i forcave (organizimi), të gjithë hezitojnë, sikur mungon vullneti dhe guximi qytetar për t’u përballur me sfidat e kohës!
Duket, sikur të gjithë janë duke pritur rënjën e kësaj qeverie, për të triumfuar si “heronjë” të demokracisë pas përfundimit të betejes.
Prandaj është momenti i fundit që zërat kundërshtues nga popullata të bëhen më aktiv, më të zhurmshëm dhe më sfidues për pushtetarët.
Situatën e heshtur të popullatës, janë duke e shfrytëzuar në mënyrën më të mirë pushtetarët, liderët sa të dështuar, po aq të korruptuar dhe shantazhuar, që tashmë janë duke u përballur me sfidat e kauzave të rrejshme përmes të cilave erdhen në pushtet.
Kur jemi në këtë segment, përpara të del ajo thënja e vjetër popullore; “Ja hunin, ja tirqit”. Vërtetë mbijetesa e disa liderëve shtetërorë dhe partiak në politikë ndodhet para një sprove të madhe dhe të pakalueshme!

Paradoks dhe dyfytyrësi politike

Pushtetarët e sotëm derisa ishin në opozitë, i kundërshtonin me të gjitha mjetet veprimet antishtetërore dhe antikombëtare të qeverisë së kaluar, sot janë më të zëshmit për miratimin e atyre marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga oponentët e djeshëm politik!
Ndaj kësaj sjellje të dyfisht të opozitarëve të djeshëm, për habi popullata po vazhdon heshtjen dhe indiferencën e saj, thuajse gjithçka është në rregull me qeverisjen aktuale.
Koalicioni i zgjeruar PAN, duket sikur e ka marrë timonin e shkatërrimit të shtetit të Kosovës për interesat e tyre personale. Po u lejua të shkojë tutje PAN-i, do të vazhdojnë tutje me konçesione tjera të dhimbshme për vendin edhe pa funksionimin e kuvendit, ngase edhe ashtu, kuvendin e përdorin vetëm si dekor “demokratik”, për marrjen e vendime antidemokratike, antishtetërore dhe antikombëtare në dëm të shtetit dhe qytetarëve.
Në situatën e krijuar, për ndaljen e dialogut të pabarabart me Serbinë në Bruksel dhe parandalimin e shumë të këqijave të tjera, ekziston vetëm një zgjidhje; ajo është revolta e përgjithshme popullore, padëgjueshmëria qytetare ndaj insitucioneve të korruptuara deri të bllokimi i tërësishëm i jetës institucionale.
Ata që mendojnë të presin fundin e mandatit të kësaj qeverie, për përmbysjen e këtyre strukturave kriminale dhe korruptive me votë të “lirë”, do të zhgënjehen akoma më keq, ngase deri atëherë, këta liderë të korruptuar, do ta rëndojnë akoma më shumë jetën e qytetarëve, do ta ngulfatin vullnetin e shumicës shqiptare, përmes dialogut të Brukselit, ku përveq Zajednicës do ta degradojnë akoma më tepër sovranitetin e shtetit me tkurrjen territoriale të vendit.
Pra, sikurse pushtetarët e mëparshëm, edhe këta të sotmit nuk janë më të mirë sa u përket interesave të shtetit dhe qytetarëve të vendit.
Pra, të keqen këtij vendi ia kanë sjellur të gjithë politikanët pa dallim pozitë dhe opozitë, kush më shumë e kush tjetër më pak, të gjithë së bashku janë shndërruar në shkatërrues të shtetit dhe thyerës të shpresave të qytetarëve për jetë në vendin e tyre.

Kosova shënon 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së

Në Kosovë ka filluar shënimi i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” po zhvillohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

Manifestimi bëhet në kujtim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Adem Jasharit, që njihet si komandant legjendar i UÇK-së, dhe familjes së tij.

Kuvendi i Kosovës me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka mbajtur një seancë solemne.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij në seancën solemne të Kuvendit ka ftuar të gjithë liderët politik, por edhe gjithë shqiptarët e komuniteteve për t’i mbrojtur idealet e lirisë dhe për të ndërtuar Kosovën e së ardhmes.

“20 vjet pas çlirimit heroik të familjes së Adem Jashari për lirinë e vendit duhet të reflektojmë për të djeshmen, të sotmen dhe rrugën tonë drejt të ardhmes. Miqtë e Kosovës na porosisin që të ndërtojmë paqen për të gjithë. sepse ajo është më e vështirë se lufta, pra ta ndërtojmë një Kosovë të denjë për të gjithë qytetarët, të tillë çfarë e ëndërruan dëshmorët dhe heronjtë e Kosovës, pa dhunë e shtypje pa padrejtësi e nëpërkëmbje”.

“Ne kemi ecur 20 vjet në liri dhe të arriturat janë të dukshme, por liria ka dimensione të tjera, lira për të pasur një kulm mbi kokë, një punë për secilin që dëshiron të punojë një pasaportë që të tjerët nuk e shohin me dyshim”, theksoi Haradinaj.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës Kadri Veseli tha se janë shënuar të arritura të mëdha gjatë këtyre viteve.

“Në këto 20 vjet, Kosova ka shënuar të arritura të mëdha.Edhe skeptikët më të mëdhenj nuk mund t’i anashkalojnë ato. Në përvjetorin e 10-të të rënies së Adem Jasharit, Kosova shpalli pavarësinë e saj Sot, ne jemi një shtet demokratik, me standarde të larta të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Për herë të parë, si komb i rreshtuar drejt dhe partner i qëndrueshëm i aleancës veri-atlantike si dhe të përkushtuar në rrugën e integrimeve evropiane”, theksoi Veseli.

FSK së shpejti ushtri e Kosovës

Në shënimin e 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është mbajtur edhe ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se hapi final i bërjes së Kosovës me Forca të Armatosura është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjitha komuniteteve, të sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe në rajon.

“Duke marrë parasysh përgatitjen tuaj, bashkëpunimin e suksesshëm dhe përkrahjen që keni nga KFOR-i dhe NATO-ja, ju faktikisht po dëshmoni pjekurinë dhe aftësinë për të ushtruar misionin tuaj themelor, atë të Forcave të Armatosura të Kosovës”, theksoi Thaçi.

Njëzet vjet më parë, në Prekaz të Skënderajt, gjatë sulmeve të forcave serbe të sigurisë në këtë fshat, janë vrarë më shumë se pesëdhjetë anëtarë të familjes Jashari.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi, në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 12 44, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi – Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Kryeministri vrapon me maratonistët në “Shtegun e Shpresës”, kujton sakrificën për Shtetin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme i është bashkuar maratonistëve në “Shtegun e Shpresës”, nga Gllogjani në Koshare.

Haradinaj ka shkruar në FB se kjo maratonë i ka kujtuar rrugën e shtetit për liri.

“Nga Gllogjani në Koshare, iu bashkova maratonistëve në “Shtegun e Shpresës”, në kujtim të sakrificës sublime në rrugën tonë për liri. Shtigjet e të kaluarës mbajnë gjallë shpresën për Kosovën që duam!”, ka shkruar Haradinaj në FB, transmeton Gazeta Express.

Donjeta Avdijaj u gjet në Prishtinë

Donjeta Avdijaj nga Peja (18-vjeçe) është raportuar në polici nga babai i saj si person i zhdukur të premten e kësaj jave. Ajo u gjet dy ditë më pas në Prishtinë nga një taksist. Për momentin Donjeta gjendet në stacionin policor në Prishtinë. Express ka biseduar me babain e Donjetës, i cili ka rrëfyet për momentin kur​ Donjeta u gjet shëndoshë e mirë. Pas disa orëve ajo pritet që t’i bashkohet familjes.

18-vjeçarja nga Peja, Donjeta Avdijaj, dy ditë më parë kishte dalë nga shtëpia. Ajo nuk është kthyer më… Familja e kishte raportuar rastin në Polici, si dhe kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve.

Donjeta u gjet sot në Prishtinë nga një taksist në orët e para të pasdites, ka deklaruar për Express babai i Donjetës.

“Donjetën sot e ka gjete një taksist. Është në stacionin e Prishtinës. Unë jam në Pejë, për nja katër orë vjen”, ka thënë babi i 18-vjeçares.

Driton Rugova nga Policia e Pejës, ka konfirmuar për Gazetën Express se D.A është gjetur sot dhe e njejta ndodhet në stacionin policor në Prishtinë.

“Sot është gjet vajza, gjendja shëndetësore është e mirë. Ndodhet në stacionin policor të Prishtinës”, tha Rugova.

Sipas familjarëve, të premten Donjeta ishte nisur për në kursin e gjuhës gjermane në Pejë.

Atë ditë, Donjeta, sipas familjarëve, kishte të veshur xhinse, çizme të zeza dhe xhaketë të lëkurës, gjithashtu dhe çantën e shkollës.

Në Kosovë, në këtë jubilé – Nga Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj

“Photos et © Pierre Virot”

Kosova është një shtet shumë i ri. Kosova është një vend që tash vonë ka dalë nga një luftë e përgjakshme dhe shkatërrimtare. Në mes këtyre dy paradigmave endet çdo vizitor, aq më tepër kur ai mbërrin nëpërmjet qiellit.

Kësaj përvoje nuk mund t’i shpëtojmë as ne, një grup i APES, Shoqatës së Gazetarëve të Huaj për Zvicër dhe Lihtenshtajn, Jean, Pierre, Ravi, Nefaili dhe ne të dy, në qëndrimin tonë të shkurtër, në prag të shënimit të 17 shkurtit, 10 vjetorit të zyrtarizimit të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

 

Në Kosovë nuk ekziston asnjë gjurmë e luftës

Një mohore, që e gjejmë në nëntekstin e çdo bashkëbisedimi me vendësit dhe ndërkombëtarët: Kosova është ndërtuar nga zero. Lufta kishte shkatërruar qytete, qendra të banuara, objekte kulturore.

Nga zero janë krijuar institucionet shtetërore të Kosovës, nga baza në qendër, në gjithë shtrirjen dhe në gjithë hierarkinë e tyre, janë 116 njohjet ndërkombëtare, janë anëtarësimet në një mori organzatash ndërkombëtare.

Shembulli më i qëndrueshëm, më i prekshëm është vetë kryeqyteti, me përhapjen e tij të vrullshme e të pandalshme nëpër kodrat rreth e rrotull, është autostrada «Ibrahim Rugova», vazhdim i «Rrugës së Kombit» që lidh Durrësin me Prishtinën, autostrada në ndërtim drejt Shkupit e tjerë.

Është pasion për ndërtim, është etje për ndërtim, është garë për ndërtim, është vërsulje e shfrenuar për ndërtim. Në vetvete pothuaj secila ndërtesë është e bukur, solide, ndoshta edhe e dobishme, por në raportet mes tyre nuk ka harmoni, nuk ka rregull, nuk ka estetikë, sepse mungon vizioni urbanistik në kuadrin e vendit, në kuadrin e qyteteve, në kuadrin e qendrave të banuara. Është një «a concrete jungle” (një xhungël konkrete), një ndërtimtari e egër, nëse e themi shqip.

Na thonë se në një pjesë të madhe këto ndërtime të panumërta janë bosh, sepse nuk kanë gjetur treg. Pra, ka edhe një shpërpjesëtim të madh mes kërkesës së kufizuar dhe ofertës së tepëruar, të stërtepëruar, që nuk mund ta zgjidhin ndoshta as koniunkturat e çmimeve. E njëjta sëmundje si edhe në Tiranë. Ku për ndërtimet thuhet se janë investim i mafies.

A ka në Kosovë ndonjë gjurmë të luftës? Përgjigja është: Në Kosovë nuk ka asnjë gjurmë të luftës. Mund të jenë ruajtur pamje, filmime, objekte dhe ato të përbëjnë pavionë të cakuar të një muzeu të ardhshëm historik të Kosovës.

Kujtesa e luftës, gjithsesi, i lëndon bashkëkohësit, por është përmasa ndër më të domosdoshmet për brezat e ardhshëm të banorëve të Kosovës, të qytetarëve të Kosovës, të të gjithë shqiptarëve, të të gjithë miqve të shqiptarëve, të të gjithë fqinjve të shqiptarëve, e tjerë.

Secili nga ne që vijmë këtu si gazetarë në këtë prag jubileu, kemi vizituar vende të dalë nga lufta dhe, ndër prezantimet e para që na kanë bërë, kanë qenë pasojat e luftës dhe trofetë e luftës. Këto i mungojnë Kosovës.

Kosova dhe trashëgimitë e ish-Jugosllavisë

Gjurmët e luftës së fundit mungojnë në Kosovë, por nuk mungojnë gjurmët e historisë së jetës, të luftërave, të sfidave të panumërta e të pashmebullta që ka kaluar Kosova, Dardania e moçme e famshme, një nga faqet më të ndritshme e më të lavdishme të historisë, kulturës dhe qytetërimit njerëzor.

Sapo avioni kalon shtresën e reve dhe na shfaqet Kosova, bien në sy vjellat e mëdha të tymit të dy termocentraleve që vendi i ka trashëguar nga ish-Jugosllavia, dy ndotësve gjigantë të ajrit të Kosovës. Ngado që të kalosh, nga jugu në veriun e vendit, do të shikosh fabrikat e mbetura nga paralufta, ende të padobishme për shtetin e ri dhe për qytetarët e saj.

Vlera e tyre shkon në gjashtëqind milionë euro. Por falë mungesës së vizionit politik për ekonominë e vendit dhe tundimit për uzurpimin e pronës shoqërore të ish Jugosllavisë, ato vazhdojnë të jenë të askujt. Albin Kurti na thotë se Vetëvendosje ka në programin e saj kalimin e këtyre vlerave, në formën e dividendeve, në formë aksionesh të pjesëtuara, në duart e Diasporës, «në këtë mënyrë, Diaspora do të jetë investuesja më masive në Kosovë dhe paratë e saj do të mbeten në Kosovë». Kurti thotë se remitancat e Diasporës, zyrtarisht një miliard euro, faktikisht janë shumë më tepër.  Por, mjerisht, paratë e diasporës, në formën e pingpongut, vijnë në Kosovë dhe dalin prej saj, nëpërmjet blerjes së mallrave të importit. «Raportet eksport-import në Kosovë janë 1 me 10 në favor të importit,” thekson Kurti dhe kjo shkon kryesisht në favor të importeve nga Serbia. Edhe ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet theksoi se kontributi i shqiptarëve me banim në Zvicër ndaj ekonomisë së Kosovës është shumë i rëndësishëm. Ai thotë se në Zvicër banojnë rreth 200 mijë shtetas të Kosovës. «Në këtë numër, sqaron ai, nuk pëfshihen ata që kanë pasaportë zvicerane, sepse konsiderohen zviceranë.»

Një trashëgimi pozitive të ish Jugosllavisë bashkëbiseduesit tanë e konsiderojnë moscënimin e pronës private. Falë këtij realiteti, në Kosovë nuk ekzistojnë ngatërresa për pronën private. Dhe kjo ndihmon edhe që Kosova të mos ketë varfëri të ndjeshme ekstreme. Gjithkush, na thonë, ka një tokë të veten, një traktor, një lopë, disa dele, përgjithësisht kanë dikë që punon në emigracion. Ata që kanë qenë shpesh në Shqipëri na thonë se nuk ka të krahasuar me atje. Në Shqipëri, na thonë ata, mjerimi është gjerësisht i përhapur.

Veriu

Trashëgimitë më kundërthënëse të paraluftës, të luftës dhe pasluftës, ato që i rrinë lëmsh në fyt Kosovës, ato që i mbajnë peng proceset e Kosovës janë pikërisht në veriun e vendit. Pothuaj të gjithë bashkëbiseduesit tanë pajtohen se Serbia i mban peng zhvillimet në Kosovë dhe për Kosovën pikërisht nëpërmjet mbajtjes së veriut nën kontrollin e saj. Pyetjes sa do të zgjasë prania e Swisscoy në Kosovë, ambasadori zviceran i përgjigjet: Deri kur veriu të integrohet me pjesën tjetër të vendit. Z.Jean-Hubert Lebet nxjerr në pah se Kosova nuk rrezikohet nga destabiliteti, por mungesa e shtetit ligjor është një hendikap i madh për inverstitorët e huaj përfshi edhe ata zviceranë. “Po padyshim që ka investitorë zviceranë që kanë histori suksesi në Kosovë, por nuk ka kushte për investime të huaja masive.”

Serbia, kryesisht nëpërmjet veriut, arrin të pengojë proceset e Kosovës. Nëpërmjet pranisë së saj në organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, Serbia ka arritur të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në këto organizata; nëpërmjet rolit të Rusisë në Këshilli  e Sigurimit, ka arritur të mos e lejojë anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.  Pyetjes kur do të shndërrohet FSK-ja në ushtri të Kosovës, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, një ushtarak i dalë nga Akademia ushtarake e Zagrebit dhe luftëtar i UCK-së, i përgjigjet: Kur të integrohet veriu me pjesën tjetër të vendit. Edhe në selinë qendrore të Swisscoy-t na thonë se prania e KFOR-it, madhësia e tij, fundi i misionit të tij varen nga zhvillimet në veri.

Albin Kurti, kryetar i lëvizjes Vetëvendosje dhe lideri i opozitës, thotë se Kosova as rajoni dhe Evropa nuk e ka të nevojshme të ketë në veriun e vendit një Nikozia, një Mostar, një Jeruzalem të dytë, siç është sot Mitrovica. Qyteti që përbënte dimensionin kryesor të ekonomisë së Kosovës në kohën e Jugosllavisë, sot paralizon ekonominë e Kosovës dhe jetën e vendit. Mitrovica, thotë Kurti, është i vetmi qytet i Kosovës së pasluftës me zvogëlim të popullsisë – nga 106 mijë banorë, sot ka vetëm 80 mijë banorë. Kjo vjen kryesisht ngaqë prej veriut të qytetit prej 18 vjetësh janë larguar banorët shqiptarë, të cilët kanë atje shtëpitë e tyre, pronat e tyre, bizneset e tyre.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, është optimist se Ura e Ibrit do të hapet plotësisht dhe qarkullimi i automjeteve në të dyja anët e qytetit do të rifillojë pas 18 vitesh, se 15 mijë banorët shqiptarë të përzënë me dhunë do të kthehen atje pas 18 vitesh, se miniera e Trepçës dhe Kombinati Malurgjik i Trepçës do të fillojnë të funksionojnë. «Para luftës, thotë zotëri Bahtiri, në simbolin e ekonomisë së Kosovës, në gjigantin e ekonomisë së Jugosllavisë, në një prej më gjigantëve të Evropës së asaj kohe, punonin 22 000 vetë. Sot atje punojnë vetëm 2 000 veta, kryesisht në mirëmbajtjen e gjigantit.» Z. Bahtiri shpreson dhe beson se, së shpejti, Trepça do t’i rikthehet ekonomisë së Kosovës dhe do ta gjallërojë atë.”Nuk do të ketë vetëm industri nxjerrëse por edhe përpunuese, nënvizon Agim Bahtiri.”

Ura e Ibrit

Mbi Urën e Ibrit qëndruam në një ditë të zakonshme. Na shoqëronin një grup zyrtarësh të komunës të Mitrovicës së jugut, midis tyre Blerina, një ekonomiste dhe nënë e re me plot ëndërra dhe shpresa për të ardhmen. Asnjëri prej nesh nuk mund të besonte se kjo është një nga Urat me histori të trishtë ndarjesh, konflikti, me Roje Urash, me blloqe betoni, me blinda dhe kontrolle. Nuk ka mbetur asnjë shenjë nga e shkuara. Veç tek ata që kanë qenë të detyruar të braktisin banesat e tyre dhe presin që të kthehen.

Në pjesën veriore valviteshin flamujt e Serbisë, por Ura e Ibrit është tërësisht e rindërtuar dhe në prag të startimit.

Në Mitrovicë ishim pak kohë pas vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviç. Nëse Oliver Ivanoviçi do të ishte gjallë grupi ynë i gazetarëve ndoshta do të ishte takuar me të. Vrasja e Ivanoviçit shërbeu si shkas që Beogradi të ndërpresë dialogun me Prishtinën në Bruksel, por të gjithë e kanë të qartë se Oliver Ivanoviçin nuk e kanë vrarë shqiptarët, ndërsa serbët deshën ta përdornin vrasjen e tij për qëllimet e tyre të vjetra. Ivanoviçin e vranë ata që duan ta mbajnë Urën e  Ibrit, si simbol i luftës dhe ndarjeve, ndërsa kjo urë duhet të kthehet si simbol i bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve.

Veriu është pikëpyetja më e madhe që i vihet së sotmes dhe së ardhmes së Kosovës, madje edhe të rajonit

Në çdo bashkëbisedim, u shtrua pyetja nëse do të ketë ndarje të Kosovës për hir të njohjes nga Serbia, nëse do të ketë shkëmbim territoresh, një version tjetër që riaktualizohet vazhdimisht. Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, një ushtarak i dalë nga Akademia ushtarake e Zagrebit dhe luftëtar i UCK-së është kategorikisht kundër për shkak të reaksionit zinxhir. Ambasadori zviceran na thotë se kjo do të çonte në ndryshimin e kufijve të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, të njohur nga 116 shtete. Në Swisscoy na thonë se vetëm funksionimi i shtetit të Kosovës në kufijtë e saj kushtetues do ta stabilizojë gjendjen në Kosovë dhe në rajon. Albin Kurti thotë se çdo version jokushtetues është i papranueshëm. Edhe veriu i Kosovës, edhe Lugina e Preshevës (Preshevë, Medvegjë, Bujanoc) janë toka shqiptare. Në çdo version kjo do të çonte në zvogëlimin e mëtejshëm hapësirës së banuar me shqiptarë, e cila edhe ashtu është e përgjysmuar: Përpara rreth 100 vjetësh shqiptarët banonin një hapësirë prej 90 mijë kilometrash katrorë, sot ata banojnë një hapësirë prej 45 mijë kilometrash katrorë, përfshirë këtu Shqipërinë, Kosovën, pjesën veriperëndimore të Maqedonisë e tjerë. “Serbia po bën një lojë shumë të rëndë me veriun e Kosovës, shton Kurti. Beogradi shpreson se një ditë Kosova dhe përkrahësit e saj perëndimorë do të lodhen dhe do të heqin dorë nga veriu i vendit.”

Kundër ndarjes dhe shkëmbimeve të territoreve shprehen edhe institucionet e Kosovës, ministri i FSK-së Rrustem Berisha, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti e tjerë.

Ulpiana

Askund si në Kosovë nuk ndërthuren trashëgimitë e historisë si në Kosovë. Në një nga daljet tona të para nga Prishtina ne shkojmë në Ulpianë. Ulpiana qytet antik i periudhës romake, themeluar në shekullin II nga Perandori romak Traian, njihet si kryeqyteti i Dardanisë, ose emri i lashtë i Prishtinës.

Ulpiana është një emër me histori në antikitet çka e bën një qendër të rëndësishme arkeologjike që vazhdon të mbetet një qytetërim gati i gjithi i nëntokshëm. Në shekulin VI të erës së re, në kohën e perandorit me origjinë dardane Justinian, Ulpiana ka arritur një kulm zhvillimi, kur u quajt edhe Iustiniana Secunda. Po ashtu edhe gjatë periudhës së krishtërimit Ulpiana ishte një qendër e rëndësishme ipeshkvnore. Në Ulpianë janë gjetur shumë vlera të çmuara për arkeologjinë, si monedha, qeramikë, stoli, mozaikë, varre.

Gërmimet kanë vazhduar pas luftës, por janë vetëm në fillimet e tyre. Qyteti iliro-romak shtrihet në 120 hektarë. Jean Musy, kolegu ynë, presiden i APES na thotë se është i pasionuar pas arkelogjisë sepse vajza e tij është arkeologe. «Tani qytete të tëra nëntokë mund të zbulohen nëpërmjet dronëve,» shpjegon ai, duke shtuar se sot arkeologjia bashkëpunon me fizikën e shkencat e tjera. Diçka që ne na e kujton menjëherë fantazinë e Lovecroftit për qytetet e nëndheshme. Ulpiana mbetet e gjitha për t’u zbuluar!

Graçanica

Ulpiana dhe Graçanica janë as një milje larg me njëra-tjetrën. Graçanica një enklavë serbe ndodhet në komunën e Prishtinës. Por shenja ndarje nuk duken askund.

Vizitojmë edhe Manastirin e Graçanicës, trashëgimi e kishës ortodokse serbe, një monument i trashëgimisë kulturore botërore e mbrojtur nga UNESCO. Të njëjtin format duhet të ketë edhe Ulpiana!

Ciceroni serb me pasion na tregon historinë. Manastiri është ndërtuar në kohën e mbretit serb Stefan Milutin më 1321 mbi rrënojat e një kishe të shekullit 6-të. Manastiri është i mbushur me afreske dhe portrete shenjtorësh. Sa janë na pyet ? Seicili prej nesh e tha një numër. Janë 4 mijë portrete engjejsh dhe shenjtorësh në faqet e mureve, në kubetë e tavaneve, portrete që ngjajnë të freskët e të gjallë si në çastin kur u hodh boja në to para shumë shekujve. Mitet historike, religjioze, mitet e legjendave i vijnë në ndihmë njëra tjetrës. Ciceroni tregon portretin e Simonidës së famshme, gruas të mbretit Milutin. Na e tregon edhe vendin sekret, ku, e imtë ashtu si vetëm ajo, Simonida mënjanohej, dhe me sytë e saj të bukur, ngjitej nëpër disa shkallë të vogla në një korridor të ngushtë për të medituar kur e kapte mërzia dhe për të mos e parë kush. Ciceroni na tregon edhe portretin e Konstandinit të madh.Ka lindur në Nish na tha, një fakt që ne e dinim shumë mirë se Perandori romak Konstandini i madh që njihet si themelues i krishtërimit ishte me prejardhje ilire.

Me plot përshtypje si nga Ulpiana ashtu edhe nga manastiri i Graçanicës marrim rrugën për në Prizren.

Prizreni

Një pasdite deri në mbrëmje ia kushtojmë qytetit të Prizrenit. Një emocion i veçantë i pamasë brenda emocionit të jashëzakonshëm të vizitës në Kosovë. Djali ynë i madh, Prizreni, e mban emrin e këtij qyteti.

Arrijmë në qytet nga dreka. Por na merr kohë gjetja e selisë qendrore të Swisscoyt. Gabimisht përfundojmë tek KFOR-i gjerman. Aty lidhen me Swisscoyn dhe dikush vjen e na merr. Këtu na japin një pasqyrë të plotë me KFOR-in në tërësi dhe me Swisscoyn si pjesë përbërëse e tij. Nga 50 000 trupa sa ishin më 1999, tani janë 4800 trupa. Kontigjenti aktual i Swisscoy është 235 trupa. Si KFOR-I ashtu edhe Swisscoy është bërë një pjesë e natyrshme e Kosovës, në një bashkëjetesë të përditshme me qytetarët e tij. Për qytetarët e Kosovës KFOR dhe Swisscoy do të thotë siguri, NATO dhe BE. Në Swisscoy na tregojnë se incidentet me bazë ndëretnike tashmë janë rralluar tej mase, edhe ato pak incidente, janë raste të lehta.

Vazhdojmë vizitën në qytetin e Prizrenit. Do shënuar se Prizrenin nuk e ka dëmtuar lufta, ashtu si do shënuar se në këtë qytet bashkëjetojnë lashtësia me mesjetën, kohën e vona dhe bashkëkohësinë, bashkëjetojnë stilet antike romake, bizantine, osmane dhe ato autoktone. Duke dashur ta krahasojmë bukurinë e Prizrenit me qytetet e tjera shqiptare, ne arrijmë në bindjen se Pizreni i ka të gjitha bukuritë që i kanë të gjitha qytetet e tjera shqiptare së bashku.

U ndalëm pranë njërës nga urat e shumta mbi Lumbardh, lumin që e përshkon qytetin e Prizrenit. Pjesën më të madhe të rrugës deri tek Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e kalojmë në këmbë, duke bërë foto, duke biseduar me qytetarët. Na bien në sy hotelet e bukur supermodernë. Dhe na mrekullon harmonia që kanë me stilet e mëhershme të ndërtimeve dhe të infrastrukturës qytetëse në tërësi. Këtu edhe diçka: Na thonë se këto hotele ishin shumë të populluara dhe qyteti i Prizrenit ishte shumë i parapëlqyer para se të ndërtohej autostrada “Ibrahim Rugova”. Deri atëherë rruga për në Shqipëri binte për në qytetin e Prizrenit. Pas ndërtimit të autostradës tregtia dhe jeta e qytetit në përgjithësi është vënë në kërkim të mundësive të reja. Kur dolën nga restauranti ku drekuam u gjendëm të rrethuar nga zëri i Ezanit. Kjo gjë u bëri përshtypje edhe kolegëve tanë të huaj. Ezani dhe xhamitë ishin si një përrallë në jetën dhe rrugët e Prizrenit të mbushur me rini të bukur!

Në koleksionin e fotove që bëri Prierre, duhet të jenë me qindra, rezultonte vetëm një grua e mbuluar, që ai e kishte futur në fokus, por ne nuk pamë asnjë ngado ku shkuam, në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë.

Prishtina

 

Vizitën e pare në Kosovë e bëmë tek Ministria e FSK-së e Republikës së Kosovës. Na del për të na pritur Jashar Ramadani, vëllai i mikut tonë të shtrenjtë Agim Ramadani, Hero i Kosovës, Hero i Kombit. Flasim me lotë në sy për kujtimet tona me Agimin. Ndërtesa e Ministrisë është e bukur dhe madhështore. Në hollin qendror na pret ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Gjeneral Rrustem Berisha. Është një nga bashkëluftëtarët e afërt të Agim Ramadanit dhe është figurë e njohur për ne që në kohën e Betejës së Koshares, më të famshmes në historinë e betejave për çlirimin e Kosovës më 1999, kur gazetarët e «Bota sot», kolegët tanë në frontin e luftës, e portretizonin edhe komandant Rrustem Berishën.

Në zyrën e tij, ministri na flet për FSK-në dhe për të ardhmen e saj si ushtri e Kosovës. Gjenerali na thotë se FSK nga pikëpamja e kuadrit është e gatshme të shndërrohet në ushtri qysh në momentin kur të miratohet neni përkatës i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kuadrot tona ushtarake, thotë Gjenerali, janë shkolluar dhe kualifikuar gjatë këtyre gati njëzet viteve e po shkollohen me rezultate të shkëlqyera në akademitë ushtarake të vendeve të NATO-s, kryesisht në SHBA, në Britani, Gjermani, Itali, Austri e tjerë. FSK-ja ka marrë pjesë me sukses në dhjetëra stërvitje dhe operacione me anëtarë të NATO-s dhe të Partneritetit për Paqe. Shndërrimi i FSK-së në ushtri për mbrojtjen e vendit, sqaron Gjenerali, kërkon miratimin e nenit përkatës në Kushtetutë. Dhe kjo Kushtetutë parashikon që ndryshimet në nenet e saj mund të bëhen vetëm me dy të tretat e votave në Kuvendin e Kosovës dhe me dy të tretat e votave të deputetëve të komuniteteve shumicë. Beogradi, nëpërmjet deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, e pengon shndërrimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Kjo pengon edhe mundësinë që Kosova të aplikojë për anëtarësim në NATO, një ëndërr e madhe e çdo ushtaraku të Kosovës dhe e vetë popullit të Kosovës.

Pasi ndahemi nga Gjenerali, ne vizitojmë qytezën ushtarake, ku ndodhen kazermat, mjediset kulturore e tjerë të shoqëruar nga ushtarakët Jashar Ramadani, Sejdi Elezi, Remzie Zeqiraj e tjerë. Së bashku me ushtarakët e kalojmë drekën në mencën e tyre.

Në Prishtinë është trafik i madh, diçka e përhershme në kryeqytetin e Republikës së Kosovës. Detyrohemi të zbresim nga minibusi ynë dhe të ecim në këmbë deri tek qeveria e Kosovës.

Fytyra e parë e njohur që ne takojmë në Prishtinë është aktori Çun Lajçi. Ne i thërrasim dhe ai na përgjigjet po ashtu me zë të lartë. Takohemi dhe flasim të përmalluar. Është rrugës për në Tetovë, ku e presin për një veprimtari kulturore. Ishte një takim nga ato që i rregullon veç Zoti, Zoti kishte dasht me na taku me të madhin Çun Lajçi!

Takohemi me ministren e Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha. Zonja ministre na flet për sfidat e integrimeve dhe për vendosmërinë e Kosovës për integrimet evro-atlantike të vendit.

Dalim në Sheshin “Skënderbej”, pastaj në Sheshin “Ibrahim Rugova”, pastaj në sheshet “Nënë Tereza” e “Zahir Pajaziti”. Pasi vizitojmë katedralen e bukur dhe madhështore Nënë Tereza, me ashensor ne arrijmë në krye të saj, prej nga shikojmë Prishtinën anembanë. Prishtina po shtrihet në kodra, një konfiguracion më i bukur edhe se i Romës (Vite më parë, në një vizitë bashkë me djemtë tanë, ne  e kemi parë Romën nga pika më e lartë e Shën Pjetrit, në Vatikan). Shoqëruesit tanë na i tregojnë lagjet për të cilat ne pyesim dhe lagjet e shumta të reja të ndërtuara pas çlirimit. Në lëvizjet tona nëpër kryeqytet, ne e bëjmë zakon të kërkojmë nga shoqëruesit që të na tregojnë se ku po kalojmë. Dhe kështu shikojmë nga afër Rektoratin e Universitetit, Bibliotekën e Kosovës, Pallatin Rinia, Akademinë e Shkencave e tjerë, por edhe Stadiumin e ri të Futbollit të Kosovës në ndërtim e sipër, qiellgërvishtësen 42 katëshe, tashmë ende në katet e saj të para e plot ndërtime të të tjera të reja.

Natën para largimit nga Prishtina, ne të dy u takuam me mikun tonë të vjetër dhe kolegun Gani Mehmetaj. Pasi shetitëm qendrën e kryeqytetit në këmbë, në orët e vona të mbrëmjes kaluam me makinë nëpër lagjet e reja, sidomos zonat e mëdha të tregtisë, ku binin në sy komplekset e mëdha të supermerkateve shumëkatëshe. Ganiu na thotë se Presidenti Ibrahim Rugova kishte një vizion të qartë për të ardhmen e kryeqytetit. Madje nën kujdesin e tij u hartua një projekt për zgjerimin e qytetit, ku parashikohej që qyteti ekzistues të konservohej ashtu si ishte, ndërsa të gjitha ndërtimet e reja të bëheshin sipas një plani urbanistik të mirëfilltë. Projekti u miratua në Kuvendin e Kosovës. Por pas vdekjes së Presidentit, ndërtimet jashtë qytetit të vjetër nuk iu përmbajtën më asnjë projekti.

 

Kosova ndaj Shqipërisë

 

Nëpër Kosovë flamujt kombëtarë s’janë të rrallë. Edhe flamujt shtetërorë s’janë të rrallë. Në mjediset e brendshme, në veshjet e shqiptarëve kudo që shkuam flamujt kombëtarë dhe simbole të tjera kombëtare janë të pranishëm.

Na thonë se nga Prishtina çdo ditë nisen për në Shqipëri, për në qytetet e saj që nga Shëngjini në Sarandë tetë autobusë me udhëtarë. Nga çdo qytet i Kosovës përditë nisen për në qytetet e Shqipërisë plot autobusë me udhëtarë. Pa llogaritur veturat që mbushin papushim autostradën “Ibrahim Rugova” dhe “Rrugën e Kombit”. Qarkullimi i qytetarëve shqiptarë të Kosovës për në Shqipëri është shumë i madh. Lufta dhe paslufta kanë krijuar lidhje të papërfytyruara më pare midis shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Janë lidhje familjare, miqësi individuale. Të rinj dhe të reja të Kosovës e shikojnë gjithnjë e më shumë Shqipërinë si hapësirë të mundshme të promovimit të talenteve të tyre artistike, kulturore dhe të gjithanshme. Lidhjet pa protokolle zyrtare janë ato që e bëjnë bashkimin e shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Shqipërisë.

Populli i Kosovës, krahas popullit të Shqipërisë, do të jetë faktori vendimtar i këtij bashkimi. Udhëheqjet politikobiznesore në Prishtinë dhe Tiranë, në rivalitet kryesisht të heshtur, janë të frustruar nga komplekset e tyre të lavdisë dhe të përfitimeve prej saj.

Kolegët tanë të huaj ua shtruan të gjithë bashkëbiseduesve në institucionet dhe në politikën e Kosovës se a janë për bashkimin kombëtar, a janë për ndarjen e veriut të vendit, a janë për shkëmbimin e territoreve. Pranë presidentit aktual dhe kryeministrit aktual të Kosovës ka këshilltarë që, duke mos pasur asnjë vision, asnjë ide për krijimin e identitetit shtetëror të Kosovës, e pështjellojnë atë me trumbetimet e krijimit të një identitet të ri kombëtar “Kosovar” sa më të ndryshëm nga identiteti kombëtar shqiptar. Ata shprehen me fjalë kundër ndarjes së veriut, por me veprime nuk bëjnë asgjë për ta parandaluar.

Këtu ka çuar ujë deri tani edhe dialogu me Serbinë. Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti thekson se vazhdimin e dialogut Beogradi e ka shoqëruar me rritje të dukshme të agresvitetit ndaj Kosovës dhe proceseve të saj të brendshme e të jashtme, në të gjitha drejtimet.

Dihet tradita e ngulitur në Kosovë me dekada të tëra dhe e përtërirë edhe në këto vite të pasluftës për t’iu vënë fëmijëve emra të qyteteve, të krahinave, të lumenjve, të maleve të Shqipërisë. Këto kohë bëri bujë në media kur 45 vajza, nga qindra të tilla me emrin Saranda, organizuan vizitë të përbashkët në qytetin e Sarandës.

Në nivelin e qytetarëve të thjeshtë është kudo e dukshme dashuria e pakufishme për Shqipërinë.

Qarkullimi i shqiptarëve të Shqipërisë në Kosovë ende nuk është i madh, por nuk është as i vogël. Kosova është destinacion i shqiptarëve nga shteti amë.

Një nga trashëgimitë pozitive të Jugosllavisë në Kosovë është turizmi dimëror. “Nuk e kuptojmë pse pushuesit në Shqipëri parapëlqejnë turizmin dimëror në Mal të Zi apo Maqedoni, kur turizmi dimëror në Kosovë është në nivel të lartë shërbimi dhe i leverdishëm sa iu përket çmimeve,” na thonë bashkëbisedues të ndryshëm.

 

Popull qytetës

 

“Ardhsh i bardhë si vera!” Kjo është përshëndetja tradicionale shqiptare që e pret çdo vizitor të Kosovës sapo del nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari”.

Çka na bëri ne përshtypje të veçantë që nga aeroporti dhe kudo që shkuam në Kosovë është se askund syri nuk gjen një letër, një mbeturinë, një papastërti të hedhur në rrugët apo anës rrugëve.

Në Prishtinë dhe në qytetet e qendrat e banuara ku qëndruam apo kaluam vihet re pothuaj në çdo orë të ditës dhe netëve deri shumë vonë lëvizja e madhe e njerëzve, sidomos të rinj e të reja. Askund nuk krijohet më e vogla zhurmë as më e vogla rrëmujë.

Syri i të huajve, sidomos perëndimorë, sapo merr takimin e pare me Kosovën, kërkon të kapë femra me shamija, shenja të orientalitetit në paraqitjen e jashtme dhe sjelljet e qytetarëve, sidomos të rinjve, por askund në Kosovë, asnjë shenjë e tillë nuk mund të gjendet.

Ne ishim në Prishtinë në lokalin “Kaffe Z”, një lokal në qendër, kryesisht plot me të rinj dhe të reja. Dhe e shpërndamë në facebook me telefon një pamje, duke iu kërkuar miqve se ku ndodhet ky lokal. Miqtë përgjigjeshin se ndodhet në Amerikë, në Angli, në Francë, në këtë apo atë metropol në botë. Njëri nga miqtë e jepte adresën e saktë “Jeni në Prishtinë, tek Kaffe Z, tek Tre sheshirat.” Dhe vërtet lokaleve në Kosovë nuk iu mungon asgjë perëndimore.

Kultura qytetëse është një përmasë sa e bashkëkohësisë, aq edhe e traditës në Kosovë. Kjo është e dukshme edhe në Prizren, qytetin që i kultivon të dyja njëkohshëm. Ne qëndruam në këtë qytet tek Ura e famshme e Dashurisë. Me mijëra dryna (dryrë), të kyçur në hekurat e anësoreve të saj, ku janë të shkruar emrat e çifteve të lidhur me betim të përjetshëm mes tyre. Në njërin skaj të urës presin të shiten dryna të gatshëm për ato çifte që duan të bëjnë ritualin. Gazmendi 12 vjeçar, që na shpjegon gjithçka, nuk pranon të identifikohet në fotot tona.

Aspekt i kulturës qytetëse në Kosovë, çka ne e ndeshëm veçanërisht në Prizren, janë vajtjet e organizuara në lokale. Një mrekulli që vështirë se e ndesh tjetërkund.

Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës ne bisedat me ne nuk e fshehin mungesën e perspektivës që ua krijon atyre gjendja aktuale e vendit, si dhe pamundësia për ta vizituar Evropën pa viza. Ambasadori zviceran Jean-Hubert Lebet na thotë se numri i kërkesave për viza është tejet i madh, personeli konsullor është tejet i mbingarkuar paçka se procedura e aplikimit është lehtësuar. Kosova do të përfitojë liberalizimin e vizave pas përmbushjes së reformave, shton ambasadori zviceran.

Pengesë e deritashme konsiderohej mosmiratimi i Demarkacionit me Malin e Zi, kusht të cilin zyrtarët e Kosovës e quajnë të padrejtë. Arritja këto ditë, siç thuhet, e marrëveshjes midis Podgoricës dhe Prishtinës për demarkacionin, pritej të jepte dritën jeshile për liberalizimin e vizave. Kjo duket se nuk mjafton. Lista Serbe nuk e voton demarkacionin, nëse nuk miratohet edhe Asosacioni, një kurth tjetër që Prishtina ia ka ngritur popullit të Kosovës.

***
Asnjë bashkëbisedues, që nga qytetarët tek zyrtarët më të lartë apo edhe ndërkombëtarët, nuk i mohon arritjet e Kosovës në vitet e pasçlirimit, sidomos në vitet pas zyrtarizimit të pavarësisë, siç nuk mohon se këto arritje janë larg pritshmërive të qytetarëve të Kosovës, çka e shton pakënaqësinë në rritje tek populli i Kosovës.

Vendi me moshën më të re të Europës, vuan nga plaga e papunësisë e cila arrin mbi 60%. Viktimë e kësaj papunësie është rinia që nuk sheh në Kosovë asnjë perspektivë dhe mban qëndrim kritik ndaj qeverisjes të kallur në korrupsion.

Përveç kritikave për korrupsion dhe mungesë të shtetit të së drejtës, një befasi e padëshiruar për diplomatët e huaj në Kosovë ishte edhe kthesa e Hashim Thaçit ndaj Gjykatës Speciale si dhe falja që ai i kishte dhënë tre të dënuarve për vrasjen e një familje, mdis të cilëve ishin edhe tre fëmijë.

 

***
Në axhendën e APES ishin edhe takimet me Thaçin si president i vendit, Haradinajn si kryeministër i vendit, Pacollin si zëvendëskryeministër dhe minister i Jashtëm, por largimi i tyre për në Amerikë, çka nuk ishte parashikuar, e pamundësoi. Edhe kryeparlamentari Veseli në çastet e fundit para takimit, u largua për në Zagreb.

Pavarësisht kësaj, vizita jonë në Kosovë pak ditë para shënimit të jubileut të 10 vjetorit të pavarësisë, ishte tejet e suksesshme, një pasuri e vërtetë, e pazëvendësueshme, mbresash dhe jehonash për rikthim.

 

“Kosova më ka befasuar, me atë që lexojmë dhe shohim në disa media në Zvicër dhe Evropë, tha Jean Musy, presidenti i APES që drejtonte grupin tonë të gazetarëve. Jam befasuar nga kontaktet me njerëzit, me njerëz të rinj, bujarë dhe mikpritës. Kosova ndoshta vend pak i varfër, por e pasur në zemër. Këta të rinj nuk janë vetëm perspektivat e Kosovës, por edhe perspektiva e evropianëve “.

Në mbrëmjen para nisjes bëmë edhe një shëtitje nëpër Prishtinë, qytetin me mesatare moshe 28 vjeç. Kishte nisur ndërtimi i skeletit të skenës për kremtimin e dhjetë vjetorit të pavarësisë. Aty do të performonte vetëm disa ditë me vonë Rita Ora, ikona e rinisë shqiptare! Axhenda e ngjeshur nuk na la mundësi të takohemi me miqtë tanë që i kemi në të gjithë Kosovën dhe u kërkojmë ndjesë. U ndjemë shume mirë kur vëllai i Agim Ramadanit, Jashar Ramadani, shef kabineti i Ministrisë së FSK, na tha se babai i tyre na donte fort paçka se nuk ishin takuar ndonjëherë. Me mendje u betuam se herën tjetër do të shkojmë patjetër në Zhegër!

Mëngjesin e nisjes aeroporti Adem Jashari ishte plot, dikush përqafohej, dikush përlotej, dikush rrinte në heshtje dhe priste.

Vetëm në mëngjes me destiancion Zvicrën prisnin tre avionë, njëri me destinacion Gjenevën, tjetri Zyrihun dhe i treti Bazelin.

Ndërsa linjë Tiranë Zvicër nuk ka!

Aty midis pamë një kioskë të vogël që shiste libra të shtëpisë botuese Koha. Blemë disa, midis tyre Këmbët e Gjarpërit të Veton Surroit, McMafia të Misha Glenit etj.

Kur avioni u ngrit në qiell ne nuk i shqisnim sytë nga relievi i Kosovës që sa vinte e zvogëlohej dhe na largohej, por largësia ishte vetëm një fiksion surreal!

 

“Photos et © Pierre Virot”

Tek Rugova

Swisscoy

Bashkia e Mitrovicës, me ne Blerina, ekonomistja e Bashkisë të Mitrovicës

 

 

 

Graçanicë

Tek selia e Vetvendosjes

 

Në takim me Z.Jean-Hubert Lebet, Ambasadorin e Zvcrës në  Kosovë, në selinë e Ambasadës në Prishtinë

Në pritjen e Ministres së Integrimit Europian, Dhurata Hoxha

Lumëbardhi, në Prizren

Agim bahtiri, kryetari i Bashkisë së Mitrovicës

Swisscoy zviceran

 

 

Me ministrin e FSK-së Rrustem Berisha

Shpërbërja e Kuvendit, zgjidhje fatlume për vendin! – Nga Florim Zeqa

Për dallim prej legjislaturave të kaluara të Kuvendit, kjo e tanishmja (e gjashta më radhë) është duke e përjetuar një ngërç të ri politik! Mos arritja e përmbylljes së asnjë reance (tre herë radhazi) e tregon qartë situatën bllokuese në Kuvend.
Nga fillimi i punës së kësaj legjislature me numrat vicioz (vetëm 61) ka qenë e ditur se kjo legjislaturë e Kuvendit nuk do të jetë e zonja të shkoj gjatë me punën e saj.
Kur këtyre numrave vicioz i shtohet fakti tjetër, ai i varësisë së plotë të ekzekutivit nga lista “Srpska”, gjë e cila e pamundëson marrjen e vendimeve të rëndësishme për vendin.
Përderisa është kështu, atëherë çdo ditë më tepër me këtë legjislaturë të Kuvendit, është një ditë e humbur për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ngase marrja e vendimeve të mëdha për vendin, siq janë; Demarkacioni me Malin e Zi, Asociacioni i komunave serbe dhe Ushtria e Kosovës do të jetë i pamundur me këtë përbërje të Kuvendit nën prangat e listës “Srpska”.
Vetëm çështja e Demaracionit, vendit i kushtoi me bllokadë të gjatë mbi një mujore pa arritur të përmbyllet fare seanca e nisur, çështje kjo e cila po reflekton me zgjatjen e getoizimit të qytetarëve të Kosovës.
Nëse ndokush mendon që kjo legjislaturë do të arrijë të përmbyllë çështjet madhore të sipërpërmendura për vendin, përveqse iluzion i pambarim, do të thotë hipokrizi politike dhe vetëmashtrim.

Mungesa e kuorumit, pamundëson marrjen e vendimeve

Me këtë legjislaturë të brishtë të Kuvendit, ku pothuajse në të gjitha seancat mungon kuorumi i nevojshëm për miratimin e ligjeve bazike për vendin, pavarësisht faktit se cili person është në kreun e ekzekutivit, asnjëherë nuk do të arrihen objektivat shtetërore dhe kombëtare njëkohësisht.
Madje për ironi të faktit, kjo legjislaturë e Kuvendit nuk është e zonja të nxjerr as një ligj për largimin e qenëve endacak nga rrugët dhe trotuarët e qyteteve tona, të cilët janë bërë rrezik permanent për fëmijët dhe nxënësit shkollorë.
Mos inicimi i ligjit -Anti mafia dhe ligjit për VETTING-un për forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, e tregon debolencën e kësaj legjislature shkaku i përfshirjes së shumicës së deputetëve në afera korruptive dhe kriminale.
Ngase Ligji-Antimafia dhe VETINGU janë pengesa kryesore për shumicën e depuetëve të inkriminuar, prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët ndjekin krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Në anën tjetër edhe Ministria e Drejtësisë me pakon e “re” të ligjeve duke mos e përmendur fare VETTING-un për pastrimin e prokurorisë dhe gjyqësorit të politizuar dhe inkriminuar në Kosovë, i rëndon akoma më tepër shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive në këtë vend.
Kështu, Qeveria dhe Kuvendi në bashkrendim me njëri-tjetrin propozojnë dhe harmonizojnë vetëm ligje që shkojnë në favorin e tyre, por jo edhe të qytetarëve. Këtë që them e vërteton edhe vendimi unilateral i kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritarë!
Me dyfishimin e superpagave të kabinetit qeveritarë dhe avokatëve të tyre mbrojtës-prokurorëve dhe gjyqtarëve, ka ndodhur diskriminimi më i madh i pasluftës në Kosovë.
Me koston e dyfishmit të superpagave, do të përmirsoheshin dukshëm skemat sociale, përfshirë të gjitha kategoritë. Në anën tjetër, pushtetarët pa fije turpi derdhin lotë krordili për qytetarët e varfër të këtij vendi.

Defaktorizimi i listës “Srpska”, zhbllokon Kuvendin

Moskalimi në vazhdimësi i Demarkacionit në Kuvend, nënkupton fundin e kësaj qeverie dhe kësaj legjislature në përgjithësi. Do të jetë krejtësisht e palogjikshme të lejohet të shkoj tutje një qeveri e cila nuk mund të ndërtoj konsensus politik për kalimin e temave madhore, e aq më pak i një Kuvendi i cili nuk arrin dot të harmonizojë qendrimet për kalimin e ligjeve kruciale për vendin.
Fakti tjetër që e bënë të aryeshme shpërbërjen e kësaj legjislature është fuqia politike që ka lista “Srpska” në raport me subjektet shqiptare.
Jam i bindur që propozimi im nuk do u pëlqejë shumë pushtetarëve dhe mbështetësve të tyre, sikurse që jam i bindur se pa një alternativë të re politike, shkuarja në zgjedhje nuk mund ta ndryshoj shumë kursin qeverisës të vendit, por ajo që mund të arrihet përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme, është e mundur të bëhet defaktorizimi i listës “Srpska”, gjegjësisht zhbllokimi i punës së Kuvendit, në mos për asgjë tjetër, për krijimin kushteve për transfromimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, korigjimin e Demarkacionit dhe përmbylljen e çështjes së Asociacionit të komunave serbe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vndit.
Andaj më mirë është të bjerë kjo qeveri sikur ajo paraprakja, më mirë është të pritet edhe tre vite të tjera apo edhe një dekadë derisa të korigjohen gabimet të cilat tashmë janë identifikuar nga komisioni i fundit qeveritar, sesa t’i humbim përgjithmonë Çakorrin, Belluhën e Kullën…pastaj të kërkohet një marrëveshje e re me Malin e Zi nën arbitrazhin ndërkombëtarë.

Vizat japoneze për qytetarët e Kosovës do të jepen në Tiranë

Japonia ka pranuar kërkesën e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, që vizat për qytetarët kosovarë që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen në Ambasadën e këtij vendi në Tiranë

PRISHTINË – Japonia ka pranuar kërkesën e ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, që vizat për qytetarët kosovarë që duan të udhëtojnë në Japoni, të jepen në Ambasadën e këtij vendi në Tiranë.

Në një njoftim nga MPJ e Kosovës thuhet se kjo notë verbale japoneze ka mbërritur sot, pas takmit të djeshëm midis dy ministrave të Jashtëm të Japonisë dhe Kosovës, Taro Kono dhe Behgjet Pacolli në Tokio.

“Ky është një lehtësim i konsiderueshëm për shtetasit e Kosovës, duke patur parasysh se deri më tani, vizat për ta jepeshin në Ambasadën e Japonisë në Vjenë. Gjatë takimit të djeshëm pala japoneze premtoi se do ta merrte parasysh kërkesën e shefit të diplomacisë së Kosovës për regjim pa viza, në rast se Bashkimi Europian do t’i heqë vizat për kosovarët në të ardhmen e afërt”, thuhet në MPJ.

Nga ana tjetër, në ditën e dytë të vizitës së ministrit Pacolli, shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Tokio kanë realizuar takime me drejtuesit kryesorë të JICA, (Agjencia Japoneze e bashkëpunimit ndërkombëtar), dhe të JBIC (Banka Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar), përkatësisht me Kazuhiko Koshikawa dhe Tadashi Maeda, ministrin e Shtetit për Financat, Kenichiro Ueno, me ministrin e ngarkuar për lojërat “Tokio Olympic and Paralympic Games Shunichi Suzuki”.

Gjatë këtyre takimeve, ministri Pacolli ftoi investitorët japonezë të vijnë në Kosovë në vendin e mundësive dhe lehtësive të mëdha për ndërmarrësit, afër tregut europian prej 500 milionësh. aa

BBC News: Hard Talk: Kryeministri i Kosovës kategorik kundër “shkëmbimit të territoreve”!

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj thotë se ai është “plotësisht kundër” për këmbime territoresh me Serbinë.

Më 17 shkurt 2018, Kosova festoi 10 vjet pavarësi nga Serbia, por Serbia refuzon të njohë sovranitetin e Kosovës.

Ka pasur propozime që Kosova të lirojë territorin në veri, ku jetojnë shumë serbë të Kosovës.

Por Haradinaj i tha BBC Hardtalk Stephen Sackur se ai ishte “plotësisht kundër ndryshimit të kufijve, për të përzierë territoret, sepse për këtë ndodhin  vetëm tragjedi”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një intervistë tek Hard Talk e BBC është shprehur fuqishëm kundër mundësisë së shkëmbimit të territoreve.

Në këtë intervistë për BBC-në, Haradinaj ka thënë se është kundër ndryshimit të kufijve, shkëmbimit të territoreve sepse për këtë ndodhin tragjeditë.

“Biseda për territor shpien në tragjedi, në luftë në Ballkan. Nuk jam në favor të një tjetër lufte në vendin tim. Jemi viktimë si kosovarë”, ka thënë ai duke shtuar se e gjithë bota ndihmoi në ndalimin e luftës në Kosovë.

Haradinaj është shprehur i gatshëm që të ulet në tavolinë me palën serbe dhe të “mbyllë atë që ka mbetur mes dy shteteve”, e që sipas Haradinajt, është njohja. Ai ka thënë se Kosova është e gatshme që ta falë Serbinë, por jo që të harrojë luftën.

“Jemi të gatshëm po ashtu që të falim, jo të harrojmë. Besoj se është koha e duhur. Jemi të gatshëm për këtë, por jo për shkëmbim të territoreve. Të gjithë kufijtë në Ballkan janë rezultat i luftërave. Nëse e hapim këtë temë, është e pafundme”, ka shtuar Haradinaj.

“Nuk jam dakord për ndryshim territoresh, sepse nuk jam në favor të një lufte të re”!

 

 

Vështrim – Kjo çka po ndodh në Kosovë nuk ka ndodhur as në mesjetë?! – Nga Skënder MULLIQI

Politika katasrofale e udhëhequr nga kjo elitë politike , po bën që frika e cila ekziston mbrenda njeriut , të shfaqet si shumë e rrezikshme , si diqka që është abstrakte, por e cila po kalon në realitet. Politika e keqe e instaluar në Kosovën e pas luftës , ka bërë që udhëheqjët shtetërore por edhe partiake të bëhën gjithnjë më të urryera nga qytetarët e Kosovës.

Shumë nga këta politikanë janë të varfër në dije , janë të pa dinjitetshem , të pa moral politik ,të korruptuar të cilët janë ngritur mbi shtetin dhe mbi ligjin . Këta janë bërë tashmë rrezikë i të ardhmës së brezave që po vijnë . Kan instaluar pushtet të korruptuar që vështirë ti gjendet fija.Loja më frikën duket së po ju shpaguhet. Edhe nese ndonjë e keqe bëhët e zëshme , sikur kur binë këmbanat, sigurisht së edhe kjo kalon , pa marrë parasysh së qytetarët po abrogohen nga qdo e drejtë. Për këtë klasë politike nuk ka rëndësi që po rritët varfëria, që po shtohet numri I atyre të cilët po kërkojnë punë , nuk ka rëndësi së po rritët numri I atyre të cilët po largohen nga Kosova.

Nuk po paraqet problem për ta pse po humbim territor . Nuk e kan dert së kemi mbetur i vetmi shtet në Evropë i izoluar dhe largë inkuadrimit në BE. Të gjitha këto dukuri të rrezikshme janë duke na lënë pa alternativë. Ne kemi mundësi zgjedhjeje të mirë, të stabilizojmë situatën politike dhe situatën ekonomike, por edhe ate të sigurisë . Na nevoiten hapa konkret , e jo fjalë boshe që po i ndwgjojmë përditë nga këta demagogë politikë. Asgjë nuk po punohet as nuk po implementohet në të mirë të qytetarëve . Këta gjithnjë e më shumë po kapën fortë për shalë, nuk po dëshirojnë të zbresin nga pushteti. Po luajnë në karta të ndryshme për interesa të tyre përsonale .Në të njejtën kohë pa na paraqitën si të moderuar, e janë largë nga pragmatizmi dhe civilizimi evropian. Edhe burokratët e Brukselit duket ashiqare së këto udhëheqje autokratike nuk po ju pengojnë gjoja në emer të stabilitetit në rajon .

Të gjithë shtetet e Ballkanit pa dallim , dëshirojnë të inkuadrohen në BE. Para së gjithash , elitat udhëheqëse I mban gjallë shpresa që të vijnë deri të mjetet financiare dhe donacionet tjera , për ti mbuluar pa punën dhe paaftësitë e tyre .Gjithëqka po ja përshtatin situatës politike , po ia përshtatin interesave të tyre . Kjo qka po ndodhë në Kosovë nuk ka ndodhur as në mesjetë. Zor , që sado që kemi pasur pushtete historikisht antidemokratike në botë , nuk kan pranuar që të pasurohen në këtë mënyrë shumë të ulët.Shumë kujt nga këto udhëheqje politike të paluftës ishte dashur një ditë tu ekspozohen të gjithë të bëmat para organëve të drejtësisë, dhe para popullit . Sigurisht së këto të bëma do të dalin tmerruese për opinionin e gjerë public jo vetëm të Kosovës

Kocijançiq: Nesër diskutohet për Asociacionin

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka njoftuar se sot në Bruksel, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit, kanë zhvilluar bisedime për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Kocijançiq ka thënë se dy palët, në dialogun teknik, kanë biseduar për marrëveshjen për lëvizjen të lirë, atë për drejtësi dhe marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM).

“Në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, sot është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë, drejtësi dhe Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM). Bisedimet do të vazhdojnë nesër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, energjinë, urën në Mitrovicë. Bisedime në atmosferë konstruktive”, ka shkruar ajo në Twitter.

🇪🇺 facilitated #dialogue: @markodjuric & Avni #Arifi discussed today in Brussels implementation of agreements on Freedom of Movement, Justice, IBM. Discussions continue tmrw w Association/Community, Energy, Mitrovica Bridge. Cordial, result oriented, constructive atmosphere.

— Maja Kocijančič (@MajaEUspox) February 26, 2018

Dialogu, në nivelin teknik, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte ndërprerë më 16 janar, nga delegacioni i Serbisë, pas vrasjes, në rrethana ende të pasqaruara, të njërit prej përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Dekorimi i komandant Drinit nga Presidenti Thaçi dhe akuzat për vrasjen e tij

Presidenti Hashim Thaçi u akuzua se ka gisht në vrasjen e komandant “Drinit”. Madje u tha se kërkesa për dekorimin e tij i kishte mbushur katër vjet që po qëndronte në sirtarët e Presidencës. Megjithatë, më në fund dekoratën ia dorëzoi familjes. Por, familja nuk iu bashkuar atyre që i refuzuan dekoratat.

Ishte seanca e 6 dhjetorit të vitit të kaluar kur një deputete e Kuvendit hodhi akuza të rënda në drejtim të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, duke thënë se komandant “Drini” ishte vrarë me urdhër të tij dhe të Kadri Veselit, asokohe shef i ShIK-ut.

Në një seancë të shoqëruar me shumë polemika personale, më së paku u fol për atë që ishte në rend dite.

Mes këtij dialogu të ashpër, e mori fjalën edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku. Nuk hezitoi të drejtonte akuza direkte ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ajo tha se me urdhër të Thaçit e të Veselit është vrarë ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha, i njohur si komandant “Drini”.

Madje deputetja Millaku përmendi edhe kërkesën për dekorimin e komandanti “Drinit”, për të cilën tha se tash e katër vjet po qëndron në sirtarët e Zyrës së Presidencës dhe askush nuk është marrë me të.

“Kërkesa për dekorimin e Drinit është në sirtar që katër vjet dhe asnjëherë nuk u mor parasysh”, kishte deklaruar ajo gjatë seancës

Megjithatë, presidenti Thaçi nuk iu përgjigj akuzave të deputetes.

Por, përtej kësaj, pavarësisht akuzave ndaj tij se ka gisht në vrasjen e “Drinit”, presidenti Thaçi sot e dekoroi atë me Medaljen Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë dhe urdhrin “Heroi i Kosovës”.

Mbase krejt ajo që u tha për lidhjet e Thaçit me vrasjen e “Drinit”, nuk e pengoi familjen e tij. Gruaja e tij, Hajrija dhe djemtë Ekremi e Drini, e pranuar dekoratën nga presidenti që i dedikohet bashkëshortit, gjegjësisht babait të tyre. Ata nuk iu bashkuan atyre që ndoshta për pak gjë e refuzuan dekoratën.

“Familjes së Ekrem Rexhës, bashkëshortes Hajrijes dhe djemve të dashur Ekremit dhe Drinit, ua dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe urdhrin “Hero i Kosovës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Presidenti Thaçi, i cili tha se e kishte bashkëluftëtar “Drinin”, nxori fjalë të mëdha për të – tha se ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Komandant  Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze,  në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.

Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje.

Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa, siç është thënë, në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Në anën tjetër, familja asnjëherë nuk ka qenë e kënaqur me drejtësinë në zbardhjen e këtij rasti. /Insajderi.com

Nait Hasani ngjitet në Çakorr, Veselit i rrjedh një votë për demarkacionin

PDK nuk i ka të gjithë deputetët që do t’ia votojnë demarkacionin, ani pse kreu i partisë, Kadri Veseli, ka filluar të flasë për votat e subjekteve tjera. Nuk dihet nëse Grupi Parlamentar i PDK’së kanë biseduar mes vete, por publikisht ka kundërthënie në deklaratat e tyre. Shefi i GP Memli Krasniqi thotë se partia ka qëndrim unik për këtë çështje, ndërsa deputeti Nait Hasani vazhdon me avazin e vjetër kundër Demarkacionit. Madje këtë e ka demonstruar duke shkuar në mot të ligë në Çakorr.

Partia Demokratike është deklaruar që nga fillimi pro demarkacionit. Edhe pse deputeti Nait Hasani ishte kundërshtues i marrëveshjes së demarkacionit, Veseli ka thënë se të gjithë deputetët e partisë së tij e votojnë.

Dje Nait Hasani i ka bërë një vizitë Çakorrit, e prej atje ka treguar se nuk i ka ndërruar qëndrimet dhe se vazhdon të mendojë se “Demarkacioni nuk duhet të kalojë”.

Në unitet të deputetëve për Demarkacion thirret edhe Memli Krasniqi, shef i Grupit Parlamentar të PDK’së. Ai për Gazetën Express ka thënë se brenda partisë së tij ka qëndrim të unifikuuar për çështjen në fjalë.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do ta votojë ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi me një qëndrim të unifikuar, dhe kjo pa përjashtime”, ka thënë Krasniqi.

Gazeta Express ka provuar të marrë një qëndrim nga deputeti Hasani, nëse do të votojë kundër ose pro demarkacionit, të mërkurën kur pritet të hedhet në votim, por ai ka qenë i paqasshëm.

Ndryshe, kryetari i PDK’së, pasi ka përshendetur të gjitha marrëveshjet mes partive që u bënë për të arritur konsensus rreth votimit të demarkacionit, po angazhohet edhe për dy-tri votat që po i duhen koalicionit qeverisës dhe LDK’së për të arritur shumicën e kualifikuar (votat e 2/3 së deputetëve)  për t’u ratifikuar Demarkacioni.

Duke mos marrë parasysh shëtitjet e deputetit Hasani nëpër Çakorr, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është i bindur se në seancën e së mërkurës do të sigurohen votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Duke llogaritur si të qena të gjitha votat e deputetëve të LDK’së, PDK’së, AAK’së, Nismës, pakicave joserbe dhe deputetëve pa grup paralamentar, gjithsej janë 78 vota, përfshirë këtu edhe votën e Nait Hasanit, që akoma s’dihet saktë nëse do të jetë pro ose kundër.

Për ratifikim të marrëveshjes po u nevojitën edhe dy vota nga Vetëvendosje apo Lista Srpska.

Veseli ka thënë mbrëmjen e së dielës se ka deputetë të Vetëvendosjes që janë të gatshëm për votim të Demarkacionit, edhe pse partia e Albin Kurtit kundërshton ashpër, duke besuar se demarkimi i kufirit me Malin e Zi i humb Kosovës 8.200 hektarë.

“Dihet një fakt se Lëvizja Vetëvendosje, përveç segment të caktuar që ka një gatishmëri ndoshta individuale të votohet demarkacioni, të shohim ditën e mërkurë, është edhe Lista Serbe e cila ende nuk e ka shprehur qëndrimin e vet”, ka thënë ndër tjera Veseli në një intervistë për Ekonomia Online.

Apeli ua ndërpret masën e paraburgimit aktivistëve të Vetëvendosjes

Gjykata e Apelit e Kosovës, ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti, të cilët do mbrohen në liri.

Këta të tre, se bashku më të akuzuarën Adea Batusha, po akuzohen nga ana e Prokurorisë Speciale për veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit thuhet se “Kolegji Penal i kësaj gjykate, duke vendosur lidhur më ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë, sot vendosi edhe për çështjen e paraburgimit, ndaj të akuzuarve, dhe vlerësoj se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore që ata të qëndrojnë në paraburgim” .

“Ky aktvendim ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit. Gjykata brenda afatit ligjor, do bëjë publike edhe vendimin e saj lidhur më ankesat e palëve kundër aktgjykimit, thuhet në komunikatë.

Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit 2017 dënoi me 21 vjet burg aktivistët Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti.

Fillimisht korigjimi i gabimeve, pastaj ratifikimi i marrëveshjes! – Nga Florim Zeqa

 

Arsyet pse vazhdimisht kam kërkuar mosvotimin e marrëveshjes famëkeqe të Demarkacionit me Malin e Zi nuk janë të lidhura me aspekte personale, që i bie se nuk jam pro apo kundër ndonjë lideri, partie apo grupimi partiak. Por pse jam kundër humbjes së territorit të vendit tim.
Pavarësisht faktit, se a kalon apo jo Demarkacioni me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës, i paraparë për diten e merkurë, 28.02.2018, megjithatë liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të mungojë edhe për një kohë të gjatë!
Ngutja në marrjen e këtij vendimi nga liderët shtetërorë nuk konsiston në angazhimet e tyre për mirëqënjen e qytetarëve, por përmes kësaj ngutje po tentohet të amnistohen marrëveshjet e dëmshme, antiligjore dhe antikushtetuese të liderëve shtetërorë në raport me Demarkacionin dhe Asociacionin e komunave serbe në veri, përkatësisht të marrëveshjes së ish dy kryemninstrave, gjegjësisht marrëveshjes fatkeqe të 19 prillit 2013 e nënshkruar nga Hashim Thaçi në Bruksel dhe ajo e 25 gushtit 2015 po ashtu në Bruksel e nënshkruar nga Isa Mustafa, i cili me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka shkelur hiq më pak se 23 nene të Kushtetutes së vendit.

Të vërtetat e ngutjes për ratifikim

Mbase këtu qendron e gjithë e vërteta e ngutjes për ratifikimin e marrëveshjes famëkeqe të 19 prillit 2013, respektivisht të 25 gushtit 2015 të nenshkruara nga Thaçi e Mustafa. E gjithë kjo dramë në Kuvendin e Kosovës po bëhet për të shpëtuar lëkurën e këtyre dy figurave sa tragjike po aq fatale të katandisjes së shtetit të Kosovës përgjatë këtyre viteve të fundit.
Kështu, deputetët puthadorë të binomit Thaçi-Mustafa po mundohen që përmes ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend, t’i amnistojnë të sipërpermendurit nga akuzat për tradhti kombëtare.
Përtej kësaj tendence, janë edhe ambiciet për pushtet të partive politike, që sikurse herave të tjera, edhe kësaj radhe po e shfrytëzojnë demarkacionin si alibi për rrëzimin e qeverisë, duke e shndërruar kështu demarkacionin nga interes kombëtar në interes partiak dhe klanor për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit.

Padi edhe ndaj kryeministrave

Kështu padia e VV-së e deponuar me 22.02.2018 në Prokurorinë Speciale të shtetit, për kallëzim penal ndaj presidentit Hashim Thaçi për shkak të dyshimit për “tradhtinë ndaj vendit”, pas nënshkrimit të marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë më datë 26 gusht 2015,…doemos duhet të pasohet edhe me ngritjen e padisë ndaj ish kryeministrit tjetër të vendit, Isa Mustafa, për marrëveshjen e turpit me ish kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq për krijimin e Asociacionit të komuanve serbe, në të cilin rast kryeministri ynë, edhe pse i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së vendit, ka mbetur i pa prekur nga drejtësia!
Nuk është që po e them unë kështu, këtë e ka vërtetuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ka konstatuar shkeljen e shtyllave bazike të saj, përkatësisht të 23 neneve të Kushtetutës.
E nëse kalon marrëveshja e 26 gushtit 2015 sipas versionit të qeverisë së kaluar, atëherë i njëjti kallëzim penal duhet të pasojë edhe ndaj kryeministrit Haradinaj!

Aneks-marrëveshja Thaçi-Vujanoviq, mashtrim i radhës

Aneks-marrëveshja e 16 shkurtit 2018 mes presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, s’është gjë tjetër vetëm se rikonfirmim i marrëveshjes së 26 gushtit 2015 të nënshkruar në Vjenë, e cila ngërthen në vete mashtrimin e radhës, gjoja për “rishikim të pikave kontestuese” pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjes së 26 gushtit 2015 në Vjenë.
Se vërtetë aneks-marrëveshja mes presidentëve Thaçi-Vujanoviq është vetëm një mashtrim i radhës për deputetët dhe opinionin vendorë, e dëshmon edhe ky fakt; sikur të ishte kaq e lehtë lëvizja e kufijve, siq po e paragjykojnë disa, atëherë nuk do të kishte pasur fare nevojë për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend.
Pranda, rishikimi dhe korigjimi i gabimeve duhet bërë paraprakisht e jo pas votimit në Kuvend, ngase me votimin e marrëveshjes varroset përfundimisht Çakorri, Belluha e Kulla.
Po kërkohet me ngulm të ndodhë pikërisht kështu, për faktin se marrëveshjet e ratifikuara nuk ka gjasa të rishikohen. Deklaratat folklorike të liderëve shtetërorë (Thaçi-Haradinaj) se nuk ka për të humbur asnjë pëllëmb tokë e Kosovës, pashmangshëm të kthen kujtesën në deklaratat pompoze të ish shtetit unitar të RSFJ-së së Josip Broz Titos, lidhur me kontekstin territorial me shtetin italian pas luftës së dytë botërore, kur lansosnin slloganin e njohur; “Život damo-Trst ne damo” (Jetën e jepim-Triesten se jepim), por sot e asaj dite, edhe pas 71 vjetësh të marrëveshjes së paqës Jugosllavo-Italiane në Paris me 1947,… edhe pas shpërbërjes së krijesës artificiale të quajtur Jugosllavi, Trieste ka mbetur nën integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit italian.
Të ngjashme do të jenë edhe deklaratat e liderve tonë shtetëror pas ratifikimit në Kuvend të kësaj marrëveshje sa të kobshme po aq fatkeqe për vendin tonë, ngase aty do të mbyllet përfundimisht kapitulli i rreth 12 mijë hektarëve tokë të Kosovës të larë me gjakë përgjatë shekujve, të cilat do të kalojnë nën juridiksionin politik të Malit të Zi.

Më e lehtë është mbrojtja, se rikthimi i territoreve

Që kjo të mos ndodh, më mirë është të pritet edhe tre vite të tjera apo edhe një dekadë derisa të korigjohen gabimet të cilat tashmë janë identifikuar nga komisioni i fundit qeveritar, se sa t’i humbim përgjithmonë Çakorrin, Belluhën e Kullën…pastaj të kërkohet një marrëveshje e re me Malin e Zi nën arbitrazhin ndërkombëtarë.
Tashmë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës janë bindur se marrëveshja e 26 gushtit 2015 në Vjenë për Demarkacionin e ishte gabim. Por nuk e kam të qartë si mund të heqin dorë kaq lehtësisht nga territori i vendit të tyre në këmbim të kinse liberalizimit vizave,…kur dihet mirëfilli se rreth gjysma e popullatës së varfër, edhe nëse ndodh nesër liberalizimi i vizave nuk do mund të shijojnë levizjen e lirë, ngase me xhepa bosh nuk shkohet drejt vendeve të BE-së, pasi ajo do t’i vëjë kushtet shtesë për ata që aspirojnë t’i vizitojnë vendet e BE-së!
Për të gjithë ata që ende besojnë në mashtrimet e politikanëve të dështuar politik, të korruptuar dhe kriminalizuar deri në fytë, këtë shkrim dëshiroj ta përfundoj me një dëshprim të ditëve të fundit të luftëtarit të lirisë, Naim Lushi, po citoj; “Lamtumirë Çakorr, Belluhë e Kullë, gozhdat e fundit po vihen në arkivolin tuaj, u prehshi në paqe në Mal të Zi, aty ku vetëm paqe e prehje për ju sdo të ketë, i bëni të fala në botën tjetër, Malësisë e Debëlldesë, Toplicës e Çamërisë, Luginës e Iliridës. Vajtoni gramzat e fundit të veriut! Kur para zotit në gjykim të dilni edhe pse mëkatarët janë të tjerë, e nëse Konicën takoni, mos e lini pa e mallkuar për profecinë e tij në formë lutjëje: “O Zot, ruaje Shqipërinë prej shqipëtarëve”!

Daçiçi: E rrëzojmë qeverinë e Kosovës, nëse nuk miratohet Asosacioni

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiçi ka kërcënuar me rrëzimin e Qeverisë nëse Prishtina nuk e themelon Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit. Daçiq ka thënë se, nëse Prishtina dëshiron stabilitet, duhet të respektojë dakordimin e nënshkruar nga ai, Hashim Thaçi e Catherin Ashton për Asociacionin. Shefi i diplomacisë serbe ka vazhduar të kontestojë edhe numrin e njohjeve, duke thënë se është gënjeshtër se 116 shtete e kanë njohur Kosovën.

Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ka deklaruar se Beogradi nuk do të lejojë ndryshime në marrëveshjen të cilat Prishtina planifikon t’i propozojë lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, transmeton Gazeta Express.

Daçiq në një intervistë për Radio Beogradin ka thënë se kurrfarë korrigjimesh në këtë marrëveshje nuk vijnë parasysh.

“Prishtina harron se Marrëveshjen e Brukselit e kemi nënshkruar kryeministri i atëhershëm kosovar Hashim Thaçi, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Catherine Ashton dhe unë. Në të është definuar qartë se çfarë duhet bërë dhe kush çfarë autorizimesh ka. Prishtina duhet ta thotë qartë se a e do apo nuk e do këtë. Kurrfarë korrigjimesh s’vijnë parasysh. Nëse kjo ndryshon, tërë Marrëveshja e Brukselit bie poshtë”, ka deklaruar Daçiq.

Sipas tij, Prishtina “po luan me zjarr”, sepse s’e kupton se faktori serb në këtë moment është faktor stabilizimi në Kosovë.

“Përkundër të gjitha problemeve që ekzistojnë, ne marrim pjesë në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se “pyetja e vërtetë është se a dëshiron Prishtina stabilitet apo jo”, përcjell Expressi.

Sipas shefit të diplomacisë serbe, në Prishtinë nuk duan dialog për zgjidhje të përhershme, sepse mendojnë se kanë shpallur shtetin e vet “dhe Beogradi vetëm duhet ta pranojë atë shtet”.

Daçiq, në stilin e tij të përhapjes së propagandës kundër pavarësisë së shtetit të Kosovës, ka përsëritur se “po zvogëlohet numri i shteteve në botë që e kanë njohur Kosovën”.

Sipas tij, “e dhëna e autoriteteve të Prishtinës se 116 shtete e kanë njohur Kosovën është rrenë, sepse në atë listë gjenden Nigeria, Uganda dhe Mali, gjë që këto shtete s’e kanë bërë. Në listë janë edhe vende që s’janë anëtare të Kombeve të Bashkuara, siç janë Cook Islands dhe Niue”, duke shtuar se Surinami, Burundi dhe Guine-Bissau e kanë tërhequr njohjen.

“Përderisa ka vende që e tërheqin njohjen, kjo është tregues se problemi është edhe më tej aktual, se s’është zgjidhur dhe se ne duam zgjidhje. Por, deri te zgjidhja e problemit mund të arrihet vetëm me kompromis dhe jo me imponim se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës e Metohisë”, ka thënë Daçiqi.

Vetëvendosje: Marrëveshja e re për Demarkacionin, krim e tradhti për vendin

Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje

Lëvizja Vetëvendosje thotë se edhe marrëveshja e re për Demarkacionin, që të mërkurën hidhet për votim në Kuvend, ia humb Kosovës 8.200 hektarë, prandaj ajo si e tillë është krim e tradhti për vendin.

Me anë të një komunikate për media, ky subjekt politik opozitar thotë se “pas fjalëve të forta në seancën e së premtes në Kuvend, kryeministri Haradinaj qenka marrë vesh me Lidhjen Demokratike të Kosovës për votimin e demarkacionit me Malin e Zi. E kanë shtuar fjalën ‘si orientim’ për raportin e Komisionit ‘Bulliqi’, duke dashur ta krijojnë përshtypjen që edhe po e përfshijmë raportin që akuzon e rrënon Komisionin ‘Meha’, edhe të mos e marrim seriozisht atë”, thuhet në komunikatë.

Aty theksohet se ky pazar fjalësh ia humb Kosovës 8,200 hektarë tokë.
“Ky projektligj ishte i padrejtë dhe i dëmshëm, e tani bëhet edhe më i keq pas këtyre akrobacioneve; ai është krim dhe tradhti që duhet kundërshtuar e nuk duhet legjitimuar”, thuhet ndër të tjera.

Vetëvendosje thotë se brenda vitit Aleanca për Aardhmërinë e Kosovës ndryshoi qëndrim për demarkacionin.

“Brenda ditës ndryshoi qëndrim për Komisionin e drejtuar nga Shpejtim Bulliqi. Siç duket, PDK-ja e LDK-ja janë në pajtim për ta shfrytëzuar ambicien vetjake të Ramush Haradinajn vetëm sa për t’i kaluar këto projekte të dëmshme. Më pas, kjo qeveri pa numra, edhe ashtu mund të bjerë”, thuhet pos tjerash në komunikate e Lëvizjes Vetëvendosje dërguar medieve.


Send this to a friend