VOAL

VOAL

Qytetarët e Kosovës fitojnë të drejtën për punë sezonale në Finlandë pa pasur nevojë të marrin viza pune

Qytetarët e Kosovës tani kanë të drejtë pune sezonale në Finlandë pa iu nënshtruar procedurave të vizave pas liberalizimit.

Siç kanë shpjeguar autoritetet finlandeze, mbajtësit e pasaportës së Kosovës do të lejohen të punojnë deri në nëntë muaj brenda një periudhe njëvjeçare në sektorët e bujqësisë dhe turizmit për aq kohë sa ata marrin dokumentet e nevojshme, raporton SchengenVisaInfo.

Në përputhje me rregullat që ka Finlanda, punëtorët sezonalë nga Kosova të cilët do të punojnë në Finlandë për maksimumi 90 ditë do të duhet të pajisen me certifikatë të punës sezonale.

Kjo certifikatë lëshohet nga Shërbimi Finlandez i Emigracionit dhe procesi i aplikimit është tërësisht online, pa pasur nevojë të caktoni një termin në ambasadë.

Sa i përket punëtorëve sezonalë nga Kosova që synojnë të punojnë në Finlandë për tre deri në nëntë muaj, është e detyrueshme pajisja me leje qëndrimi për punë.

Ndërkaq nëse kohëzgjatja totale e punës sezonale në Finlandë i kalon 90 ditë, duhet të aplikoni për leje qëndrimi.sn

Kosova i gëzohet sot një mrekullie: Lindin katërnjakë!

Kosova i është gëzuar sot një lajmi të bukur. Një nënë nga Podujeva ka lindur katër foshnja, katërnjakë. Lajmi u dha zyrtarisht nga Klinika Obstetrike Gjinekologjike e Qendrës Universitare të Kosovës.

“Një nënë nga Podujeva, ka lindur katërnjakë, – thuhet në njoftim. -. Nëna me inicialet D. S., 26 vjeçe, ka lindur me operacion, në kujdes shëndetësor të mjekëve, mamive dhe infermierëve. Tre fëmijë janë të gjinisë mashkullore dhe një e gjinisë femërore. Nëna bashkë me fëmijët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Tani fëmijët janë nën përkujdesje të stafit mjekësor në Klinikën e Neonatologjisë, ku janë duke marrë trajtimet e nevojshme.”sn

Image

Image

Image

Albin Kurti i vendosur: Do të jemi gjithmonë krah shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një postim në rrjetet sociale, ka deklaruar se shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit gëzojnë tashmë kujdesin dhe mbështetjen e Kosovës, çdo vit e më shumë.

Ai ka shkruar se tashmë këto zona përfshihen në buxhetin e shtetit duke shtuar se në vitin 2022 kanë ndarë dy milionë euro, dhe tani kanë buxhetuar tre milionë euro.

Postimi i plotë: 

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë.
Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve.
Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme.
Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore.
Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan.
Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova.
Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës.
Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.bw

Gazetari i njohur Osman Stafa: Qeveria presion mediave për të censuruar denoncimin e Bardhit për Olsi Ramën

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar në rrjetet sociale presionin që Qeveria ka ushtruar ndaj mediave për të censuruar denoncimin e Gazment Bardhit për përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen ‘Xibraka’.

Stafa shkruan se  ky lajm përfshin interes të madh publik, pasi familjari i kryeministrit, sipas Bardhit, është lënë i “panjohur” në dosje, vetëm se është vëllai i tij. Pra policia dhe prokuroria me dashje s’kanë pasur guxim ta identifikojnë, dikë që e dinin se kush ishte.

Postimi nga Osman Stafa

Ditën e djeshme Gazment Bardhi ka bërë një denoncim të fortë, të paktën përgjatë këtyre 5 viteve të fundit.

Një denoncim i mbështetur sipas asaj që publikoi, në fakte dhe prova që implikojnë vëllain e

Kryeministrit Rama, në çështjen e laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit.

Ky lajm përfshin interes të madh publik, pasi familjari i kryeministrit, sipas Bardhit, është lënë i “panjohur” në dosje, vetëm se është vëllai i tij. Pra policia dhe prokuroria me dashje s’kanë pasur guxim ta identifikojnë, dikë që e dinin se kush ishte.

Por ditën e djeshme pamë një nga ngjarjet më të turpshme sa i takon pushtetit të katërt, ai i cili është garantori i interesit publik. Denoncimi i Gazment Bardhit është lajm me interes publik, por shumë media vendosën të mos e transmetojnë kur Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, po bënte denoncimin. Jo vetëm kaq, por më e turpshme ishte fakti tjetër kur media e portale që e bënë si lajm në fillim, pas disa orësh e fshinë.

Dita e djeshme tregoi edhe njëherë kapjen e mediave nga qeveria.  Një problem i cili është dokumentuar vit pas viti edhe nga raportet ndërkombëtare.

Pretendohet se nga Kryeministria, ditën e djeshme, janë bërë dhjetra telefonata, ku u është kërkuar mediave të ndryshme të mospublikojnë denoncimin apo ta fshijnë. Presioni që përdor qeveria përballë medias, është censurim i interesit publik.sn

Ministri i Brendshëm i Kosovës ngre alarmin, Sveçla: Milan Radoiçiç po trajnon terroristë të tjerë

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla lëshoi kritika ndaj aleatëve perëndimorë të vendit, për të cilët tha se hezitimi i tyre ndaj Serbisë në disa raste agresioni në veri të Kosovës, i dha krahë Beogradit për të realizuar sulmin në Banjskë.

Sveçla tha se Milan Radoiçiç është në krye të trajnimit të grupeve terroriste dhe mund të ndërmarrë ndonjë tjetër sulm nëse merr urdhër nga Beogradi.

“Serbia është mësuar që të luajë rolin e viktimës qoftë dhe në rastin e Banjskës. Për mua si dikush që është rritur në Kosovë, por dhe që kam qenë në realitetin politik të saj, sjellja e Serbisë nuk është e befasishme. Befasuese është sjellja e qarqeve të ndryshme në Bashkimin Evropian. Sot dëgjova një deklaratë të zv/kryetares së PE e cila shprehte kundërshtinë e saj ndaj qasjes së pabalancuar, të padrejtë të BE, ku struktura ekstremiste të Serbisë sulmuan KFOR. Dhe në vend që Serbia të dënohej, iu vunë sanksione Kosovës. Dhe prandaj ndodhi dhe sulmi i Banjskës, pasi u toleruan disa ngjarje të mëparshme si rrëmbimi i policëve të Kosovës apo sulmet ndaj KFOR në veri. Ishte një sulm serioz 3 pjesëtarë të KFOR humbën gjymtyrët, dihet kush e dhanë urdhrin”, tha Sveçla sipas mediave në Kosovë.

Ministri i Brendshëm shtoi se tashmë partnerët i kanë të gjitha të dhënat për këtë ngjarje të rëndë dhe shtoi se Kosova nuk duhet të bjerë në kurthin e dënimit të vetëm Radoiçiç pasi ai sipas tij urdhërohej direkt nga presidenti Vuçiç.

Sveçla shtoi se Milan Radoiçiç është në krye të trajnimit të grupeve terroriste dhe mund të ndërmarrë ndonjë tjetër sulm nëse merr urdhër.

“Dhe për Banjskën i kemi ndarë informatat me partnerët dhe ka hezitim për të mbajtur qëndrim ndaj Serbisë. Nuk duhet të biem në kurthin e dënimit vetëm të Raidoçiç. Ai ka qenë kryetar i një subjekti politik të lidhur drejtpërdrejt me Serbinë. Pastaj është armatosur dhe trajnuar në kazermat e Serbisë. Është financuar nga shteti i Serbisë dhe urdhrat i ka marrë nga Vuçiç. Ai është udhëheqësi i grupeve të trajnimit dhe mund të marrë ndonjë urdhër tjetër nga Vuçiç për të sulmuar”, përfundoi Sveçla.bw

Drejtori i Policisë së Kosovës: Grupe kriminale serbe po përgatiten për sulm në veri!

Prishtinë – Drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka deklaruar se janë në dijeni se grupet kriminale serbe po përgatiten dhe trajnohen në kazerma ushtarake serbe për një sulm tjetër ndaj policisë, por që sipas tij, Policia e Kosovës është e gatshme dhe ka kapacitete për kundërpërgjigje efikase.

“Mund të jenë grupe të ngjajshme sikurse grupi i Banjskës, ndoshta me numër më të vogël se ata, por që që ata mund të jenë më të përgatitur profesionalisht, mund të jenë ekspert të fushave të caktuara që mund ta godasin policinë e Kosovës për interesat e tyre në veri të vendit. A do të ketë ndonjë invazion, agresion nga Serbia në territor të Kosovës, kjo është çështje që duhet të diskutohet në nivele tjera, mirëpo ne si polici i kemi kapacitet tona, të përgatitura profesionale për tu ballafaqu me çfarëdo sulmi të këtyre grupeve kriminale. Ndërsa për pjesë të tjera është përgjegjësi e KFOR-it, FSK-së normalisht edhe Policisë së Kosovës”, deklaroi Hoxha.

Drejtori i Policisë ka folur edhe për lëvizjet e mjeteve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, duke deklaruar se ushtria serbe po u hap rrugë dhe shtigje terroristëve që synojnë destabilizimin e vendit.

“Këto janë tentativa të Serbisë që të tregojë se është afër kufijve të Kosovës. Ka qenë një prezencë e ushtrisë serbe gjatë javës që shkoi. Janë informacione dhe pamje të siguruara nga institucione të sigurisë së Kosovës që punojnë rreth kufirit. Ne e kemi alarmu KFOR-in dhe kemi qenë në kontakt me KFOR-in rreth kësaj prezence dhe poashtu gjatë javëve të fundit ne kemi qenë në përgatitje maksimale sa i përket mundësisë së levizjes së depërtimit të qoftë forcave kriminale, qoftë ndonjë veprimi diverzant të ndonjë grupi të caktuar nga institucione të sigurisë së Serbisë”, tha drejtori Hoxha.

Ai gjithashtu informoi se makineritë serbe të ushtrisë shpesh herë po punojnë rreth kufijve të Kosovës, duke riparuar ose hapur rrugë e që sipas tij kjo ndodh për të krijuar mundësi që grupet si ai i “Banjskës” të depërtojnë më lehtë.

“Është një kërcënim por që ne po vazhdojmë ta monitorojmë dhe jemi të gatshëm të i dalim ballë”, deklaroi Hoxha.sn

Bislimi: Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova i takon Bashkimit Evropian dhe se çdo vend demokratik brenda BE-së e di se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon.

Në takimin e 11-të Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, Bislimi ka thënë se Kosova i është bashkuar vendeve që kanë vënë sanksione ndaj Rusisë.

“I jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Kemi qenë të angazhuar edhe në planin e rritjes të Komisionit Evropian. Progresi demokratik nënkupton anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Nuk ka asnjë problem teknik që Kosovës t’i dërgohet pyetësori. Mosnjohja nga pesë shtetet nuk ka qenë problem për vendimin për vizat. Institucionet do të jenë të gatshme t’i përgjigjen këtij pyetësori. Çdo vend demokratik brenda BE e di se Kosova është një ndër vendet më demokratike në rajon”- ka thënë Bislimi.

Sipas Bislimit, përgjigjja e BE-së dhe e NATO-s ndaj kërcënimeve që i janë bërë Kosovës, ka qenë shumë e qartë.

“Përgjigjja e BE-së dhe NATO-s në rajonin lindor të Evropës ka qenë shumë e qartë, kështu duhet të trajtohet edhe kërcënimi i sigurisë për Ballkanin Perëndimor”, ka vijuar ai.

Kosova, sipas Bislimit, i vlerëson rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për mbështetjen për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Bislimi ka thënë se Kosovës duhet t’i hiqen masat ndëshkuese nga BE-ja dhe duhet t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Duhet të largohen masat ndaj Kosovës. Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, ka theksuar Bislimi.sn

Kurti thotë se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se ushtria serbe është larguar nga kufiri me Kosovën, pasi “erdhi për të na provokuar” të enjten.

“Nuk është normale që ato automjete ushtarake të mbërrijnë vetëm pak metra larg kufirit. Jam i kënaqur që nuk janë sot, nuk kanë qenë deri në orën 16.00”, tha Kurti duke folur në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai tha se autoritetet kosovare e regjistruan lëvizjen e tyre përgjatë kufirit kosovar, por “ne nuk bëmë asgjë”.

“Ne ishim të kujdesshëm, shikonim nëse do të kalonin kufirin, por ata nuk e kaluan kufirin”, shtoi ai.

Kurti tha për herët të parë të enjten pak para mesnatës së ushtria serbe u pa duke lëvizur disa metra larg kufirit me Kosovën, duke i cilësuar ato si “provokime të qëllimshme”.

Të premten më herët, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i hodhi poshtë deklaratat e Kurtit duke i cilësuar si “fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë”.

Ajo tha se forcat e ushtrisë serbe “janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara”.

Më herët gjatë ditës, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se ia kanë bërë me dije Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm.

“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”, tha O’Brien.

Ndërkohë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha të premten për Radion Evropa e Lirë se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, dhe u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.

I pyetur në lidhje me deklaratën e kryeministrit Kurti, KFOR-i tha se “qëllimi ynë është ta ndalojmë përshkallëzimin dhe ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për t’i ndërmarrë të gjitha masat për ta përmbushur mandatin tonë të OKB-së, për të siguruar mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe lëvizjen e lirë”.

“Ne e kemi trefishuar edhe numrin e patrullimeve, përfshirë në vijën kufitare administrative”, tha KFOR-i.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përshkallëzuan në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin verior kosovar, Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.

Tre sulmues serbë u vranë nga shkëmbimi i zjarrit më vonë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë se ka gisht në këtë sulm dhe se u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës, por kjo është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit.REL

Populli i Kosovës renditet i 29-ti në Raportin e Lumturisë

Populli i Kosovës renditet i 29-ti në Raportin e Lumturisë i publikuar sot. Sipas këtij, raporti të rinjtë në Kosovë janë më të lumtur se grupmosha më e vjetër.

Te grumposha nën 30 vjet, kosovarët zënë vendin e 23-të si më të lumturit në botë. Ndërsa te grumposha mbi 60 vjet, kosovarët bien në vendin e 39-të si më të lumturit në botë.

Në Raportin e Lumturisë për periudhën 2021-2023, kosovarët del të jenë ngritur në ranglistën e lumturisë.

Finlandezët zënë vendin e parë si më të lumturit në botë. Pas tyre janë danezët e islandezët. Suedezët dhe izraelitët kompletojnë top-pesëshen.

Afganët janë populli më i palumtur në botë. Libani, Lesoto, Sierra-Leone dhe Kongo e pasojnë.

Raporti është publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë. Ky raport mbledh të dhëna nga anketat në më shumë se 140 shtete. Ato rangohen bazuar në vlerësimin e jetës që e bëjnë njerëzit në tri vitet paraprake, në këtë rast nga 2021 deri më 2023.

Image

Manastiri i Deçanit regjistron pronësinë e 24 hektarëve tokë

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë konfirmoi se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës, në Prishtinë.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit t Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim më 20 mars.

Më 13 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale që të transferojë 24 hektarë tokë në emër të Manastirit të Deçanit. Ai tha se zbatimi i vendimit të Kushtetueses do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte kritikuar nga zyrtarët lokalë në Deçan dhe një shoqatë e historianëve në këtë komunë, që e kanë cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë.

Toka, që u regjistrua në pronësi të Manastirit, gjendet rreth këtij manastiri, në kadastër kishte qenë e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.

Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e kishin zbatuar, duke argumentuar se kjo sipërfaqe ishte marrë me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Nga Manastiri i Deçanit kishin thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në vitin 1997, manastirit iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i ishin marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht i kishte kërkuar Kosovës që të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me 24 hektarët tokë të Manastirit të Deçanit.REL

Konjufca për vendimin e tokave të Manastirit të Deçanit: Kompromisi më dhimbshëm që Kosova ka bërë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit ka qenë kompromisi më i dhimbshëm i kësaj qeverie.

Sipas tij, zbatimi i vendimit u kthye në formë kompromisi në janar të këtij viti, për të siguruar vendin në Këshillin e Evropës.

“Manastrin e Deçanit, për nëntë vite na kanë thënë bëjeni se e keni obligim. Tash për herë të parë, prej janarit nuk është më bëjeni se e keni obligim, por bëjeni se mund të arrini një arritje shumë të madhe për Kosovën, që është Këshilli i Evropës, që i bie e ka formën e kompromisit e nuk mund të bëhet vetëm si diçka që Kosova e ka obligim sepse është vendim i dhimbshëm ky. Ky është vendimi më i dhimbshëm që Kosova e ka marrë”, tha Konjufca në Kanal 10.

Gjatë javës së kaluar kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se i kanë kërkuar Agjencionit Kadastral të Kosovës ta zbatojë vendimin e Kushtetueses lidhur me 24 hektarë rreth Manastirit të Deçanit, për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës kishte para vetes dy opsione – të zbatojë vendimin e Kushtetueses e të mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshillin e Evropës këtë vit ose heqja e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, andaj tha se vendimi është marrë “duke u prirë nga arsyeja e shëndoshë”.

Osmani: Është arritur pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje.

Sipas saj, ideale do të ishte nëse do të arrihej një marrëveshje për të në Bruksel, më 19 mars, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ajo ka thënë se është shumë pozitive “që komuniteti ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara pajtohen që mos të ketë qarkullim të dinarit në Kosovë”.

“Me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje ato dërgesa, ajo ndihmë financiare që vjen nga Serbia, të arrijë në euro dhe jo në dinarë, dhe kjo besoj që e zgjidh një pjesë të madhe të problemit me të cilin jemi ballafaquar në të kaluarën”.

Sa i përket pjesës së dytë të propozimit, ajo ka thënë se janë duke shqyrtuar mënyra për të garantuar që ndihma që niset prej Serbisë për komunitetin serb në Kosovë të mos keqpërdoret.

“Të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë korruptuar dhe i kanë marrë paratë kinse në emër të qytetarëve, por i kanë shfrytëzuar për krim të organizuar. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan që do t’i përfshijë autoritetet e Kosovës”.

Osmani ka thënë se ka shpresa që shumë shpejt do të arrihet pajtueshmëri edhe për pikën e dytë.

Prej 1 shkurtit, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur të zbatojë një rregullore të re, e cila përcakton që euroja është valuta e vetme në përdorim për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë dhe ua nis atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë në valutën e vet, dinarin.

Komuniteti ndërkombëtar i ka reaguar ashpër Kosovës për zbatim të rregullores, duke thënë se nevojitet një plan i qartë që nuk dëmton komunitetin serb, dhe se afati për zbatimin e saj ka qenë shumë i shkurtër.

“Është urgjente që kjo çështje të zgjidhet, sepse jo vetëm që u ndihmon qytetarëve që t’i tejkalojnë disa prej sfidave me të cilat ballafaqohen, por në të njëjtën kohë, të jemi shumë të sinqertë, Kosova ka probleme më të mëdha, ndër të tjera probleme të sigurisë”.

Tek jo e fundit, ajo e ka përmendur nevojën e sigurimit të kufirit me Serbinë, e cila, sipas saj, shqyrton vazhdimisht mënyra për ta sulmuar Kosovën.REL

Inteligjenca gjermane: Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s deri më 2026

Shërbimet e inteligjencës gjermane kanë përgatitur për qeverinë në Berlin një analizë të kërcënimit ushtarak nga Rusia, ku parashikohet se Rusia deri më 2026 mund të sulmojë territore të NATO-s.

Kjo mund të sjellë edhe fuqizimin e Rusisë në pikëpamjen e fuqisë së saj ushtarake. “Nuk përjashtohet mundësia që Rusia të pushtojë një vend të NATO-s deri më 2026. Më tepër të rrezikuara janë vendet baltike, por edhe Finlanda”, thuhet në relacion.

Bussines Insider raporton se selia e NATO-s gjithashtu ka ndarë shqetësime për faktin se Rusia mund të fuqizohet ushtarakisht, por se nuk mendon se Moska do të hapë një luftë të re. Duke parë rreziqet që vijnë nga Rusia, vendet anëtare të NATO-s do të rrisin investimet e tyre në ushtri.

(Balkanweb)

Kryeministri Kurti takoi emisarin e ShBA-së, Gabriel Escobar

14 Mars, 2024

Prishtinë, 14 mars 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier.

Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.

Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.

Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.

Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë.

Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Sot në Kuvendin e Kosovës mblidhen të gjitha ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme

Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thirrur seancë shënjuese me të gjitha ish-deputetet e legjislaturave të mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me temën “Historia e deputeteve në Kuvendin e Kosovës – përparim dhe proces”.

Siç bëhet e ditur, seanca ka nisur në orën 11:00.

Në fillim të seancës e mori fjalën Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, pastaj Tinka Kurti, kryetare e Grupit të Grave Deputete.

Po ashtu fjalime mbajtën edhe Albana Gashi nga LVV, Flora Brovina nga PDK, Besa Gaxherri nga LDK, Teuta Haxhiu nga AAK dhe Myfera Sërbica-Shinik nga Grupi Multietnik.sn

Gërvalla: ‘Ndërkombëtarët tronditen kur shohin raportin për sulmin në Banjskë’

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se ministria që ajo drejton, raportin për sulmin terrorist në Bansjkë e ka përcjellë te ndërkombëtaret qysh në tetor të vitit të kaluar.

Ajo thotë se ndërkombëtarët janë të tronditur kur e shohin atë raport, për shkak se aty ka edhe fotografi të ndryshme që e tregojnë sa masiv ka qenë sulmi.

“Në përgjithësi, janë shumë të tronditur kur ua japim atë raport, sepse aty ka edhe fotografi të ndryshme të cilat e shpjegojnë, jo vetëm sa masiv ka qenë ai sulm, por shpjegojmë edhe origjinën e armëve, që janë aty, sasinë e armëve, përshkrimin e armëve e tjerë e tjerë. Zakonisht, partnerët me të cilët bisedoj dhe u jap në dorë, janë mjaft të tronditur nga përmbajtja e tij. Por, është shumë me rëndësi të thuhet që informacionet janë dhe informacionet, faktet që ne i kemi futur në atë raport janë të verifikueshme në Kosovë”, tha Gërvalla.

Ajo thotë se nuk e di ende përse Prokuroria ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.

“Nuk është që ne nuk kemi përfaqësues ndërkombëtarë që po të ketë dilema rreth vërtetësisë së atyre fakteve, u dashka të presim Prokurorinë dhe Gjykatën. Krejt tjetër temë është për ne, pse Prokuroria ende, gjashtë muaj më pas nuk e ka ngritur asnjë aktakuzë të vetme për rrethana të cilat qartë e tregojnë”, tha Gërvalla./EXPRESS

Vendimi i qeverisë së Kosovës, KFOR: Do të vazhdojmë të kujdesemi për sigurinë përreth Manastirit të Deçanit

VOA

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 për pronat e Manastirit të Deçanit.

Komandanti i KFOR-it, Oezkan Ulutash, ka thënë se njësitë e këtij misioni do të vazhdojnë të kujdesen për sigurinë përreth manastirit.

“Mirëpresim vendimin e institucioneve të Kosovës, i cili njeh pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Agjencia Kadastrale e Kosovës tashmë është udhëzuar të zbatojë këtë vendim”, tha ai për “Zërin e Amerikës”, duke shtuar se njësitë e KFOR-it, që janë të angazhuara për mbrojtjen e kësaj zone fetare do të vazhdojnë të kryejnë këtë detyrë të rëndësishme, në përputhje me bashkëpunimin e gjatë e të mirëvendosur me autoritetet lokale fetare.

Më herët edhe shtetet e QUINT-it mirëpritën këtë vendim duke e cilësuar si “hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve të Kosovës në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike”.


Qeveria e Kosovës njoftoi të mërkurën se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mospajtimesh me diplomacinë perëndimore rreth kësaj çështjeje.

Zbatimi i vendimit me të cilin manastirit i njihet e drejta e pronës në mbi rreth 24 hektarë tokë, lidhet drejtpërdrejt me kërkesën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Escobar: Bisedime të mira me Kurtin, më premtoi se do të shqyrtojë propozimet e mia

I dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se ka pasur një bisedë të mirë dhe të hapur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediat më 14 mars se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Escobar nisi vizitën e tij në Kosovë një ditë më herët, kur u takua me presidenten Vjosa Osmani, me krerët e partive opozitare dhe me përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë.

Pas takimit me Osmanin, emisari amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog.

Ndërkaq, pas takimit të tyre me emisarin amerikan, disa politikanë serbë u shprehën të “inkurajuar” me qasjen e SHBA-së ndaj disa vendimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës dhe thanë se kanë marrë garanci nga ai për zgjidhje “në favor të komunitetit serb”.

Para nisjes së vizitës në Kosovë, Escobar deklaroi se zbatimi i vendimit i autoriteteve të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb, ishte “jokompetent” dhe “katastrofik”.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që ka hyrë në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre në dinarë – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Vendimi për rregulloren e BQK-së është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, që kanë argumentuar se ai është marrë pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te popullata serbe që jeton në Kosovë.

Uashingtoni ka kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq BE-ja ka kërkuar që për këtë çështje të gjendet një zgjidhje në kuadër të dialogut në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.REL

Kurti kritikon ndërkombëtarët për heshtje ndaj djegies së dyqanit të nënkryetares serbe

Dëmet e shkaktuara nga zjarri në lokalin e Natasha Tomaniqit në Zveçan. 8 mars 2024.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare të mërkurën për mungesë reagimi ndaj djegies së një dyqani të nënkryetares së komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, më 8 mars.

“Heshtja e komunitetit ndërkombëtar edhe pesë ditë pas sulmit sa vjen e bëhet edhe më shurdhuese; një heshtje e tillë është sa dekurajuese aq edhe inkurajuese”, tha Kurti.

Më 8 mars, Tomaniq tha për Radion Evropa e Lirë se dyqani i saj u dogj në orët e hershme të asaj dite. Dyshimet e para të Policisë janë se zjarri është shkaktuar qëllimisht.

Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij, Kurti tha se rasti i djegies së dyqanit së Tomaniqit dhe takimi i ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq,me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, “nuk kanë ndodhur në vakum”.

“Dekurajuese për njërën palë, viktimën, inkurajuese për palën tjetër agresore, sepse sulmi ndaj nënkryetares Tomaniq nuk ndodhi në vakum, njëjtë si pamjet e kriminelit, terroristit Millan Radoiçiq duke terrorizuar komunitetin serb dhe pastaj takim me ambasadorin serb në SHBA që nuk ndodhën në vakum”, shtoi ai.

Kurti beson se këto raste paraqesin “përpjekjen e vazhdueshme” të Serbisë në bashkëpunim aleaten e vet, Rusinë, për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit dhe se ato “janë edhe pasojë direkte e mosndëshkimit të Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë”.

Vetë Tomaniq, që është nënkryetare e komunës së Zveçanit që funksionon sipas sistemit të Kosovës, e ka akuzuar Listën Serbe për djegien e pronës së saj, por partia më e madhe e serbëve të Kosovës i ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si “insinuata dhe të rreme”.

Dy ditë pas incidentit, më 10 mars, u publikua në rrjetin social X një fotografi në të cilën shihet ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Nuk dihet kur dhe ku janë takuar Gjuriq dhe Radoiçiq, i cili është nën sanksionet amerikane dhe i kërkuar nga agjencia ndërkombëtare e policisë, INTERPOL.

Duke e komentuar rastin e fotografisë mes Gjuriqit dhe Radoiçiqit, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për REL-in se ky i fundit “e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë përmes avokatëve të tij” dhe se ai “është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”.

Pak ditë pas sulmit të 24 shtatorit nga një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku u vra një polic dhe tre sulmues – Radoiçiq e mori përgjegjësinë për të.REL

“Vendime të vështira duhet të marrë edhe Serbia, jo vetëm Kosova”, Escobar në Prishtinë: Palët të vijojnë punën për një marrëveshje historike

Emisari amerikan, Gabriel Escobar, në një konferencë për media ka thënë se nuk i kërkohet vetëm Kosovës të marrë vendime të vështira, por se e njëjta thirrje vlen edhe për Serbinë për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit.

Escobar viziton këtë javë rajonin, tur që ka zgjedhur ta nisë me Kosovën.

Sot ai ka takuar presidenten Vjosa Osmani ndërsa nesër pritet të takojë kryeministrin Albin Kurti.

“Ka shumë punë për të diskutuar për disa sfida, duke përshirë edhe vendimin e BQK-së për të gjetur mënyra se si të ecim përpara që përfshijnë Asociacionin po jo vetëm atë. Siç e përmendi edhe presidentja, të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë dhe gjithashtu për të pasur një marrëveshje historike. Por ne ftojmë edhe Serbinë që të vazhdojë të zbatojë, prandaj nuk është një përpjekje unilaterale që vetëm Kosova duhet të marrë vendime të zorshme e të vështira që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet”, tha ai.bw

Qeveria e Kosovës urdhëron zbatimin e vendimit për pronat e Manastirit të Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Kurti, po ashtu, bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës, përderisa theksoi se procesi i vendimmarrjes për anëtarësimin e Kosovës do të përfundojë në maj.

“Më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e komunitetit atje, nga mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave, në Këshillin e Evropës, që vendos për anëtarësimin tonë”, tha ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ishte shumë i domosdoshëm”.

Çfarë kontestohet?

Autoritetet lokale në Deçan refuzojnë që Manastirit të Deçanit t’ia regjistrojnë në kadastër 24 hektarë tokë dhe pyll, sepse konsiderojnë se kjo pronë është e ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk ka qenë kurrë e Manastirit.

Sipas tyre, Gjykata Kushtetuese ka “legalizuar” një vendim të vitit 1997 të ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, me të cilin ajo pronë iu dhurua Manastirit të Deçanit.

Deri më tash, këtë qëndrim të pushtetit vendor e përkrahën edhe zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të cilët ky vendim i Gjykatës Kushtetuese “bazohet në politikën diskriminuese të Qeverisë së Serbisë të viteve ‘90”.

Por, nga Manastiri i Deçanit thonë se një qëndrim i tillë i zyrtarëve kosovarë kërcënon sigurinë e Manastirit”, sepse publikut i prezantohet “sikurse vetë Manastiri ia ka marrë tokën dikujt tjetër”.

Ata shpjegojnë se në vitin 1997 atyre iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, e cila u ishte marrë nga pushteti komunist i Jugosllavisë, në vitin 1946.

Ata, po ashtu, kujtojnë se “në kohën e Milloshevqit”, nga viti 1991 deri më 1999, janë sjellë mijëra gjykime ligjore për mosmarrëveshje të ndryshme dhe pyeten nëse të gjitha ato do të anulohen.

Më herët, këtë muaj, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai ka thënë se nuk besonte që Qeveria do ta kërkonte një gjë të tillë.Radio Evropa e Lirë

Escobar sot në Kosovë, takim me Kurtin, Osmanin dhe liderët e opozitës, zbardhet axhenda e të dërguarit të SHBA për Ballkanin

Zv. ndihmës Sekretari për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike i SHBA-së, Gabriel Escobar do të vizitojë këtë javë rajonin. Sot ai do të jetë në Kosovë.

Është zbardhur axhenda e të dërguarit të SHBA, i cili në fillim do të ketë një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Sipas njoftimi të Presidencës takimi do të nisë në orën 10:00. Pas takimit do të ketë deklaratë për media.

Escobari pritet të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti e udhëheqësit e opozitës.
Fokusi kryesor i takimeve pritet të jetë çështja e dinarit.

Escobari të martën në një bashkëbisedim me gazetarë e ka quajtur katastrofal vendimin e Kosovës për ndalimin e Dinarit serb, tek ka shtuar se shumë raporte që kanë pranuar konfirmojnë telashet me të cilat po ballafaqohen serbët në kryerjen e pagesave.bw

Kryeministri Kurti vizitoi flotën e kamionëve ushtarakë RheinMetall MAN HX2

 

 

Prishtinë, 12 mars 2024

 

Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari panë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë multifunksional RheinMetall MAN HX2, 8X8 të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë.

 

Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman. Nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion.

 

Këta kamionë multifunksional janë të pajisur me teknologji moderne dhe janë të dizajnuar për operacione logjistike dhe veçanërisht taktike.-Zyra e Kryeministrit

 

Agjërimi i muajit të Ramazanit fillon më 11 mars, njofton Bashkësia Islame e Kosovës

Bashkësia Islame e Kosovës njoftoi në Fb se  agjërimi i muajit të Ramazanit fillon më 11 mars 2024.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, – tha BIK, njofton besimtarët dhe gjithë opinionin e gjerë se muaji i bekuar Ramazan, fillon ditën e hënë, më 11 mars 2024.

Me rastin e fillimit të muajit Ramazan, Kryesia e BI-së, përgëzon besimtarët në Kosovë, diasporë e trojet tona, duke u dëshiruar agjërim të lehtë, shtim të ibadetve dhe solidaritet me njëri-tjetrin!

Me fat muaji i bekuar Ramazan! Agjërim të lehtë dhe të pranuar!” përfundon njoftimi.sn

Thirrje për drejtësi, barazi dhe siguri për gratë në Kosovë

Marshi “Marshojmë s’festojmë” në Prishtinë më 8 mars 2024.

Me thirrjet “Sot marshojmë, përditë luftojmë”, “Drejtësi për gratë e vrara”, “Drejtësi për gratë e gjalla”, “Punë për mu çfarë pune du”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Poshtë prokuroria patriarkale”, “Poshtë homofobia”, “Trupi jem, e drejta jem”, e slogane të ngjashme, aktivistë dhe qytetarë marshuan në rrugët e Prishtinës më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Marshi i përvitshëm u organizua nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë”. Anita Mjeku nga ky kolektiv tha se marshi i sivjetmë kërkon realizimin urgjent të drejtësisë, barazisë dhe sigurisë për gratë.

Një slogan në marshin në Prishtinë.

Një slogan në marshin në Prishtinë.

Qytetarët nisën marshin e tyre nga sheshi Zahir Pajaziti, drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke bërë thirrje për drejtësi për gratë e vrara në Kosovë dhe për mbrojtjen e grave që janë viktima të dhunës në familje.

Mjeku kërkoi dënimin e vrasësve dhe dhunusve të grave si dhe gjuha e urrjejtes, siç tha ajo nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, dhe mediave.

Ajo iu referua kundërshtive të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës lidhur me Projektligjin për shëndetin riprodhues, i cili nuk është miratuar ende. Kundërshtimet e ligjvënësve kanë të bëjnë me IVF-in, metodë që u mundëson grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë.

“Këto ditë na është thënë, madje edhe nga një grua patriarkale, kryetare e Komisionit [parlamentar] për të drejtat e njeriut [v.j. Duda Balje] se ne duhet të kemi kufi deri ku deri ku i kërkojmë të drejtat tona. Ne jemi këtu për t’iu thënë se kufiri juaj është larg trupave tanë. Kufiri juaj është larg nesh. Asnjë deputet nuk ka mandat t’i cenojë trupat tanë e as të tentojë t’i kthejë prapa të drejtat e fituara me mund dhe përpjekje. Asnjë polici e as kordon nuk mund të na ndalë ne”, tha Anita Mjeku.

Ajo po ashtu përmendi rastet e grave të vrara, por edhe kthimin në rigjykim të rastit të vrasjes së Marigona Osmanit, nga partneri i saj.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Para marshit, nga Rrjeti i Grave të Kosovës thanë se as këtë 8 mars gratë nuk do të festojnë, por do të marshojnë “për të drejtat e grave dhe vajzave: të drejtën në punë pa diskriminim, të ecim pa u ngacmuar, pa frikë e dhunë, për jetë autonome, e pavarur dhe e fortë”.

"Liri grave" shkruan në një pano gjatë marshit në Prishtinë.

“Liri grave” shkruan në një pano gjatë marshit në Prishtinë.

Aktivistët për të drejtat e grave kanë thënë se gratë diskriminohen sa i përket punësimit dhe po ashtu kërkojnë më shumë siguri për gratë në ambientet publike dhe private.

Nga viti 2010 deri në nëntorin e vitit 2023, në Kosovë janë vrarë 55 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.REL

KQZ: Me 21 prill votohet për largimin e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten që me 21 prill të mbahen votimet për largimin nga detyra të kryetarëve shqiptarë në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Vendimi pasoi verifikimin e listave të nënshkrimeve që janë mbledhur për një peticioni gjatë muajit janar në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç. Për t’u konsideruar i suksesshëm peticioni duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në secilën komunë.

“Duke marrë parasysh kohën e nevojshme për përgatitjen procedurale dhe organizimin në aspektin teknik të këtij procesi, Sekretariati i Komisionit Qendror të zgjedhjeve konsideron se koha më e përshtatshme për organizimin e procesit të votimit mund të jetë data 21 prill e vitit 2024”, tha drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj.

Për të larguar kryetarin e një komune duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote. Nëse dështon, një peticion tjeterë nuk mund të organizohet përpara se të kenë kaluar 12 muaj.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog tha se e vlerëson vendimin për të caktuar datën e votimit për shkarkimin e kryetarëve. Ai shkroi në rrjetet sociale se “tashmë është thelbësore që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë përgatitjet e nevojshme për të siguruar një proces të qetë dhe për të krijuar kushte për votim të lirë dhe të ndershëm”.

Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës me Serbinë e cila u përkeqësua pas sulmit të 24 shtatorit të një grupi serbësh të armatosur ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë në veri të vendit, ku mbeti i vrarë oficeri i policisë Afrim Bunjaku.

Prokuroria e specializuar e Kosovës me seli në Hagë, bastis shtëpinë e ish komandantit të UÇK-së

VOA

Në Prishtinë për disa orë me radhë, zyrtarë të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, bastisën shtëpinë e ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sulejman Selimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk dha hollësi për operacionin, ndërsa Artan Qerkini, avokat i zoti Selimi tha se operacioni është kryer me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, sipas të cilit, mendohet se në shtëpinë e tij mund të kishte prova që ndërlidhen me pengimin e drejtësisë.

Dhomat e Specializuara nuk dhanë asnjë hollësi rreth operacionit e as për njoftimin se është “kontaktuar” edhe ish zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hajredin Kuçi, pjesëtar i ekipit mbrojtës të ish kryetarit të parlamentit, Kadri Veseli.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës në gusht të vitit 2015, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së.

Në dhjetor të vitit të vitit 2022 Gjykata e dënoi me 26 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, nën akuzat për vrasje dhe torturë në një qendër paraburgimi gjatë luftës në Kosovë.

Në fillim të muajit prill të vitit të kaluar, nisi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të lartë politik, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, të gjithë ish udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Të paktën katër veta janë arrestuar gjatë vitit 2023 nën dyshimet për vepra që lidhen me “pengimin e drejtësisë”.

‘Prifti njoftoi policinë’- Ja si u kap armatimi serb në Banjskë, i ngelur nga sulmi terrorist i shtatorit 2023

Pesë zolla janë gjetur sot në afërsi të Manastirit të Banjskës të cilat dyshohet se i përkasin ngjarjeve që ndodhën në shtator të vitit 2023, në periudhën kur u vra polici Afrim Bunjaku.

Nga burime të besueshme mësohet se policia u njoftua për armatim nga prifti i kishës në Banjskë.

“Prifti e ka thirrë policinë dhe ka raportuar se në njërën prej objekteve përreth ka parë thes me armë (zolla), që dyshohet se i takojnë periudhës së shtatorit”, raportojnë mediat.

Përveç njësiteve të nevojshme policore, në këtë aksion ka qenë e përfshirë edhe AKI.

Lajmin pwr mediat e ka konfirmuar edhe Veton Elshani nga policia e Mitrovicës së Veriut.

“Në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan janë gjetur pesë zolla. Mjetet ushtarake dyshohet se i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar”, tha Elshani./ Gazeta Express/

Konkurs ndërkombëtar për monumentin e Adem Jasharit në Prishtinë

Komuna e Prishtinës do të shpallë sot (e mërkurë) konkurs ndërkombëtar për monumentin e heroit Adem Jashari dhe familjes së tij, ka njoftuar kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rama ka thënë se monumenti i Adem Jasharit nuk duhet të jetë klasik, por modern që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe projekton të ardhmen e Kosovës.

“Ju e dini që ne kemi ndarë buxhetin për këtë edhe vitin e kaluar. Ishim të gatshëm ta shtyjmë përpara monumentin e heroit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, por ishim në diskutim edhe me familjen e heroit legjendar, për vendosjen e monumentit dhe tash kemi vendosur që ta shpallim një konkurs ndërkombëtar, që me siguri do të bëhet sot, ku do të kërkojmë nga arkitektë, artistë e historianë të punojnë bashkë për të prezantuar ide të ndryshme, se si do të duket monument i ndërlidhur me peizazh, por edhe për propozimet për lokacionet e ndryshme që mendojnë arkitektët, artistët e historianët se do të ishte e përshtatshme për këtë monument”, ka thënë ai.

Sipas tij, monumenti për Adem Jasharin nuk do të thotë të jetë domosdoshmërisht në sheshin me emrin e heroit. Ai ka deklaruar se kryeqyteti kërkon që monumenti të jetë i qasshëm me qasje të drejtpërdrejtë të qytetarëve. “Edhe të përdoret teknologjia e re, inteligjenca artificiale, për të treguar historinë se si ka ndodhur. S’duhet të jetë monument klasik, por të jetë diçka shumë e avancuar që ndërlidh të kaluarën, të tashmen dhe e projekton të ardhmen e vendit”, ka thënë Rama.

Rama edhe në të kaluarën pati premtuar vendosjen e një shtatoreje të heroit Adem Jashari në kryeqytet.

Kurti bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është bashkuar udhëheqësve të tjerë botërorë, duke bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Thirrja e Kurtit vjen një ditë pasi nënpresidetja amerikane, Kamala Harris, kërkoi që Izraeli dhe Hamasi të arrinin një armëpushim dhe që Izraeli të gjente mënyra që do të mundësonin dërgimin e më shumë ndihmave në Rripin e Gazës.

“I bashkohen nënpresidentes amerikane, Kamala Harris, dhe udhëheqësve të tjerë botërorë në thirrjen për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare. Vdekjet e civilëve dhe vuajtjet në këto muaj që nga sulmi terrorist i Hamasit janë një thirrje urgjente për veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, shkroi Kurti në X, që më herët njihej si Twitter.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pas sulmit vdekjeprurës të kryer nga ekstremistët palestinezë në jug të Izraelit, ku vranë 1.200 persona dhe rrëmbyen 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore dhe ajrore, që deri më tani ka lënë të vrarë mbi 30.000 persona në Gazën prej 2.3 milionë banorëve.

Pas nisjes së luftës, Kurti kishte shprehur shqetësim për, siç kishte thënë, krimet kundër civilëve nga Hamasi në Izrael.

Numri dy i SHBA-së, shtetit aleat të Izraelit, po ashtu tha një ditë më herët se njerëz të pafajshëm në Rripin e Gazës po përjetojnë një “katastrofë humanitare”.

Uashingtoni ka insistuar që një armëpushim të hyjë në fuqi në nisje të Ramazanit, që fillon javën e ardhshme.

Një armëpushim i tillë do të zgjaste gjashtë javë, pas një armëpushimi më të shkurtër prej një jave të arritur në nëntor. Dhjetëra pengje që mbahen nga Hamasi, do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë që gjenden në burgjet izraelite.REL

Kryeministri Kurti priti në takim antropologen Janet Reineck

 

 

Prishtinë, 3 mars 2024

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim antropologen, Janet Reineck.

 

Znj. Reineck, një antropologe e njohur dhe mike e madhe e Kosovës, është një figurë e rëndësishme në hulumtimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të trojeve tona.

 

U bisedua për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, sfidat dhe potencialin e turizmit rural në vendin tonë.

 

Gjithashtu, diskutuan për rëndësinë e unitetit të popullit tonë në shtetndërtim, dhe rolin e të rinjve në këtë drejtim.

 

Kryeministri Kurti, duke falënderuar znj. Reineck për punën dhe kontributin e saj për Kosovën, u shpreh i gatshëm për mundësi të bashkëpunimit më të afërt në të ardhmen. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, synohet të përforcohet promovimi i trashëgimisë kulturore dhe të avancohet turizmi rural në Kosovë.- Zyra e Kryeministrit

Emigrantët dërguan në Kosovë 85 milionë euro gjatë janarit, qytetarët morën 137 milionë euro kredi

Gjatë janarit emigrantët dërguan në Kosovë 84.6 milionë euro. Brenda të njëjtit muaj qytetarët morën mbi 137 milionë euro kredi, ndësa kursyen edhe 90.4 milionë euro si depozita në banka.

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të jenë të varur nga kreditë dhe remitancat.

Banka Qendrore e Kosovës ka publikuar disa të dhënë për muajin janar, duke treguar se sa është vlera e kredive të marra nga qytetarët, por edhe sa para dërguan emigrantët në Kosovë.

Mbi 84 milionë euro është vlera remitencave të mërgatës që janë dërguar në Kosovë për muajin janar 2024.

Kurse, vlera e tyre deri në fund të vitit 2023 ishte 1 miliard e 343 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave kanë qenë nga institucionet financiare jo-bankare me pjesëmarrje prej 63.3%, pasuar nga bankat me 19.4% dhe kanalet tjera 17.3%.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se në janarin e këtij viti bankat në Kosovë lëshuan kredi në vlerë të 137.9 milionë eurove.

Në raportin e publikuar të enjten, BQK-ja njoftoi se 90.4 milionë euro është vlera e depozitave, ndërsa 7.36 miliardë euro vlera e aseteve bankare.

“Ndërsa, 6.38 për qind është norma e interesit në kredi, e 2.74 për qind norma e interesit në depozita. 81.6 për qind konsiderohet të jetë raporti kredi-depozita. Sipas raportit, kapitali u bankave komerciale për këtë muaj ishte 879.6 milionë euro. Vlera e kredive të reja në muajin janar 2024 ishte 137.9 milionë euro, derisa shuma e depozitave të reja arriti në 90.4 milionë euro. Po ashtu, norma mesatare e interesit në depozita ishte 2.74%, ndërsa norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.38%”.

Për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 312.2 milionë eurove dhe është rritje prej rreth 6.8 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.75 miliardë euro, duke shënuar rritje për 41 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve tjerë financiar në fund të janarit 2024 janë zvogëluar për 1.7 milionë euro, krahasuar me muajin paraprak duke arritur vlerën e 511.9 milionë eurove.

7.36 miliardë euro, vlera e aseteve bankare
6.38% – norma e interesit në kredi, 2.74% – norma e interesit në depozita
137.9 milionë euro – vlera kredive të reja, 90.4 milionë euro – vlera e depozitave të reja
81.6%, raporti kredi-depozita
84.6 milionë euro, vlera e dërgesave nga mërgata
312.2 milionë euro, asetet e kompanive të sigurimit
2.75 miliardë euro, asetet e fondeve pensionale
511.9 milionë euro, asetet e ndërmjetësuesve të tjerë financiar./MONITOR

​SHBA partneri kryesor i Kosovës për eksporte të mallrave

Dinari ka vënë në sprovë marrëdhëniet Kosovë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Amerika mbetet partneri më i rëndësishëm për raporte tregtare me vendin tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç si aleat strategjik për vendin tonë, janë edhe partneri kryesor për eksport të mallrave të Kosovës në tregjet amerikane.

Në janar të këtij viti, vlera e mallrave të eksportuara me vendet e botës arritën në 20.1 milionë euro, ose 33.4 për qind. Eksportet e mallrave me këto shtete kanë një shifër simbolike, mirëpo siç bën të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovë, partnerë më të rëndësishëm me vendet e botës për eksport ishin SHBA-të me 14,6 për qind dhe Zvicra me 9,3 për qind në muajin janar 2024, shkruan KosovaPress.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,4 milionë euro, ose rreth 30,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 6,9%.

“Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8,8%), Italia (4,7%), Holanda (3,1%), etj”, bën të ditur ASK.

Ndërsa, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 164,4 milionë euro, ose 43,3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10,1%.

“Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,8%), Greqia (7,2%), Italia (3,7%), etj.”.

Ndërsa, Turqia edhe këtë vit vazhdon të mbetet partner kryesor për import të mallrave.

Vetëm gjatë muajit janar 2024, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 158 milionë euro, ose 41.6 për qind.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15,4%) dhe Kina (11,3%)”, thuhet në raportin ASK-së për Tregti me jashtë.

Ndërsa, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 21.8 milionë euro, ose 36,1 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 16,2 për qind.

“Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (12,4%), Shqipëria (11,8%), Serbia (6,3%), Mali i Zi (3,9%)”, thuhet në raportin e ASK-së për muajin janar.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 57,7 milionë euro, ose 15,2% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 5,8 për qind.

“Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7,6%), Maqedonia e Veriut (4,7%), Serbia (1,9%)”, thuhet në raport.

Ndërkaq, ajo që mbetët shqetësues është se edhe këtë vit ka nis një rënie e vlerës së mallrave të eksportuara në vend.

Eksporti i mallrave në muajin janar tw kwtij viti kishte vlerën 60.3 milionw euro, ndërsa importi 380 milionë euro, që është një rënie prej 3 për qind për eksport, si dhe një rritje prej 7.4 për qind pwe import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 25,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 19,3% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 6,2% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”, thuhet në raporrin “Statistikat e Tregtisë së Jashtme (STJ), Janar 2024”, të ASK.

Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 9.9 për qind në muajin janar 2024, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2023, gjegjësisht në vlerë prej 319,7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 291,5 milion eurp në vitin 2023. Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 15.9 për qind.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17,2% e përbëjnë produktet minerale; 11,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,6% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,2% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.SN

Osmani: Përplasjet me aleatët perëndimorë rreth dinarit ishin të shmangshme – çështja mund të zgjidhet brenda Kosovës

VOA/Edlira Bllaca

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje të premten institucioneve që të trajtojnë me kujdes marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, mes shqetësimeve në rritje për dëmtimin e këtyre marrëdhënieve për shkak të mospajtimeve për çështje siç është dinari serb.

“Unë inkurajoj të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, secilin që merret me politikë që të bëjë çmos që këto relacione dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian që gjithnjë na kanë qëndruar pranë t’i konsiderojmë jo vetëm si të rëndësishme por si ekzistenciale për suksesin e shtetit tonë sepse historia jonë e ka dëshmuar këtë”, tha ajo.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, ka hyrë në fuqi me një shkurt, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

Bashkimi Evropian tha të premten se dëshiron t’u ndihmojë Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit dhe për këtë arsye ka ftuar palët për një takim javën që vjen. Nuk është e qartë se në çfarë niveli do të zhvillohet takimi, meqë kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se nuk do të marrë pjesë dhe se kjo çështje nuk ka qenë asnjëherë pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve. Zoti Bislimi dhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano shkëmbyen kritika në distancë për këtë çështje.

Presidentja Osmani tha se kjo çështje nuk është dashur të shndërrohet në shkak për përplasje me aleatët perëndimorë.

“Unë jam e bindur se në qoftë se ka vullnet me një takim i cili mund të zgjasë disa orë mund të ulen të gjitha institucionet relevante, ato që do ta zbatojnë në praktikë këtë rregullore, dhe të dalin me hapa konkret duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe përkrahjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha ajo.

Edhe partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë e Kosovës se me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore po rrezikon marrëdhëniet me aleatët perëndimorë, në kohën kur Kosova është ende nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

Presidentja Osmani përsëriti sot thirrjen për heqjen e këtyre masave, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për të ecur përpara me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Osmani thotë se do të ndërtohet një qendër rajonale për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur të premten se, në bashkëpunim me Departamentin amerikan të Shtetit, në Kosovë do të ndërtohet Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Duke folur në Prishtinë në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor, Osmani theksoi se Kosova ka qenë një nga katër shtetet e përzgjedhura për këtë qendër.

“Hapja e kësaj qendre në Kosovë është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-ve për gratë, paqen dhe sigurinë, si dhe pjesë e planit kombëtar amerikan të veprimit”, tha Osmani.

Osmani nuk dha hollësi rreth kësaj qendre, apo datë se kur do të ndërtohet ajo, por nënvizoi se ajo pret që përmes saj të konsolidohen gjithnjë e më shumë partneritete të reja në Kosovë dhe në rajon.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se agjenda për gratë, paqen dhe sigurinë, qëllim kryesor e ka pozicionimin e grave si partnere të barabarta në të gjitha fushat që lidhen me paqen dhe sigurinë.

“Në këtë drejtim, Kosova është shembull i mirë i përkushtimit në përmbushje të agjendave globale, pavarësisht faktit që shpesh herë jemi të kufizuar për t’i dhënë zë punës tonë në këta organizma që ne ende nuk jemi anëtarë”, tha ai.

Sipas tij, përfshirja e grave në procese të paqes dhe sigurisë është parakusht për paqe dhe demokraci të qëndrueshme.

“Ne sot e kemi një numër të madh të grave të përfshira në politikë, edhe në sektorin e drejtësisë e në atë të sigurisë, ndonëse numri i tyre është larg nga të qenët i barabartë me numrin e burrave dhe kjo duhet të ndryshohet”, tha Konjufca.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 31 tetor 2000 e miratoi rezolutën 1325 për gratë, paqen dhe sigurinë.

Kjo rezolutë i nxit shtetet anëtare të OKB-së që të sigurojnë një përfaqësim më të madh të grave në të gjitha nivelet vendimmarrëse në institucionet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dhe në mekanizmat për parandalimin, drejtimin dhe zgjidhjen e konfliktit.rel

Opera e Kosovës ka nderin të prezantojë baritonin Hektor Leka në rolin e Plakut

Sonte do të jepet prova gjenerale e operas “Goca e Kaçanikut”e kompozitorit Rauf Dhomit me libret te Ajmone Dhomi e Jusuf Buxhovi, premiere absolute ne Kosove pas asaj te TKOB me 1979.

Opera e Kosovës bën njoftimin si më poshtë:


Hektor Leka u lind në Tiranë ku fillon që në moshë të re studimin e violinës dhe më pas kantos nën drejtimin e nënës së tij, mexosopranos së njohur shqiptare Rozmari Jorganxhi për të vazhduar më pas në Liceun Artistik dhe në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë me Prof. Frano Lufi. Në vitin 1992 transferohet në Trieshtë të Italisë. Fillimisht ndjek një kurs të organizuar nga Teatri Lirik “Giuseppe Verdi” për këngëtarë të rinj nën drejtimin e Prof. Claudio Strudof për të vazhduar në Konservatorin “Giuseppe Tartini” të Trieshtës. Nën drejtimin e Maestro Marco Sofianopulo realizon disa produksione si Requiem nga A. Bruckner, një koleksion këngësh Gregoriane të ripunuara nga i njëjti maestro, koncerte dhe evente të ndryshme të karakterit fetar të regjistruara nga RAI dhe disa pjesë të kompozuara posaçërisht për zërin e tij nga i njëjti Maestro.

Në fushën operistike Lekaj debuton në vitin 1997 në produksionin e “La Traviata” (Marchese D’Obigny) në Lignano Sabbiadoro nën drejtimin e Maestro Francesco Maria Martini. Disa vite më vonë bën debutimin e tij si Sparafucile në operën “Rigoletto” të Giuseppe Verdit dhe më pas si Don Basilio në “Il barbiere di Siviglia” të G. Rossinit. Nën drejtimin e Maestro Severino Zannerini ka debutuar me sukses rolin e titullit në operën “Il Signor Bruschino” ku pati një sukses jo vetëm me publikun po edhe me kritikën. Gjithashtu ka realizuar koncerte dhe recitale të shumta në Trieshtë, Gorizia, Udine, Pordenone, Padova, Fiume, Koper, Arezzo etj. duke ekzekutuar pjesë nga repertori i shenjtë, lirik dhe lirikoetnik.

Në vitin 2003 realizon një recital me muzikë nga të gjitha vendet e Ballkanit ku pjesët nga autorët shqiptarë u prezantuan për herë të parë në Itali. Suksesi i kritikës e bëri të përsërisë të njëjtin recital edhe në vitin 2005. Ka qenë Doktor Grenvil në edicionin më të fundit të “La Traviata” të vënë në skenë nga Teatro “G. Verdi” i Trieshtës ku edhe punon rregullisht që nga viti 1997.

—–

Me këtë rast ka reaguar në rrjeton social baritoni Hektor Leka si më poshtë:

“Në radhë të parë dua të falenderoj nga Zemra për besimin dhe mbështetjen që më dhanë duke më ftuar si një nga protagonistët e kësaj opere regjisorin Prof. Nikolin Gurakuqi (Mjeshtër i Madh), dirigjentin Edon Ramadani dhe në fund, por jo se i fundit, Drejtorin e Operës së Kosovës Meriton Ferizi dhe stafin drejtues.
Ka qenë një kënaqësi e madhe për mua që pas gati 45 vjetëve të takoj kompozitorin e saj, Prof. Rauf Dhomi-n, i cili në premierën e parë të vitit 1979 në Tiranë kishte bashkëpunuar me Nënën time e cila atëherë mbulonte rolin e dirigjentes së korit.
Një falenderim i veçantë u shkon edhe të gjithë bashkëpunëtorëve, orkestrës dhe korit dhe të gjithë repartit teknik.
Në fund dua t’u uroj të gjithë kolegëve të mi një kurorëzim me Sukses të kësaj Premiere historike për Kosovën. Jo vetëm se është opera e parë e një autori kosovar por edhe sepse është hera e parë që realizohet në Kosovë një opera me të gjjthe përfaqësues e trevave shqiptare.
Një IN BOCCA AL LUPO, siç thuhet andej nga Italia, të gjithëve!!!
#AdelinaPaloja
#IsmetVejseli
#BesianaQaniMehmedi
#TeutaKurtiLuta
#HarrisBajraktari
#HekuranBllaca
#RizahJahaj
#DenikPrizreni
#EtritNura”

Osmani dhe Hovenier bisedojnë për propozimet për zgjidhje lidhur me dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë takimit të rregulltë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Prishtinë, 22 shkurt 2024.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka diskutuar për propozimet, që sipas saj, ofrojnë “një zgjidhje të qëndrueshme për planin e trazicionit për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Në njoftimin për media të Presidencës së Kosovës, megjithatë nuk u bë e ditur se për çfarë propozimesh Osmani ka biseduar me Hovenierin gjatë takimit të tyre të rregullt.

Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.

BQK-ja ka thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se së shpejti do të dalin me një listë prej dhjetë masash lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimi.

Çështja e ndalimit të dinarit serb ka tendosur raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së. Uashingtoni i ka kërkuar Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që të shtyjë zbatimin e rregullores. Por, Kurti ka insistuar se kjo rregullore nuk do të zhbëhet.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesës amerikane, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.

Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas kësaj deklarate të kryeministrit kosovar, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.

Zëvendëskryeministri Bislimi mori pjesë në panelin e diskutimit “Zhvillimi ekonomik për serbët e Kosovës”

 

 

Prishtinë, 21 shkurt 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në panelin e diskutimit “Zhvillimi ekonomik për serbët e Kosovës”, organizuar në Media Center Cagllavica. Në panel, ishte pjesëmarrës dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe akterë nga shoqëria civile nga komuniteti serb në Kosovë.

Në fjalën e tij hyrëse, zëvendëskryeministri Bislimi tha se “nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit”.

Ai shtoi se angazhimi i Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik edhe për komunitetin serb shkon përmes 5 hapave si: mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, rritja e formalizimit të ekonomisë, fuqizimi i kërkesës agregate, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore, dhe rritja e efikasitetit duke e luftuar korrupsionin e kontrabandën e krijuar hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin.

Ndërsa një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat e tjera të Kosovës, shtrihet në tre rrafshe: bashkëpunimi ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, bashkëpunimi i ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.

Rikujtoi dhe se javën e kaluar ministri Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, prezantuan platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70 për qind të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve.

Mbi rregulloren e BQK-së, ai tha se “Rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave”. Ai shtoi se Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.

“Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh”, përfundoi ai.

 

Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

Faleminderit shumë për mundësinë që sot bashkë ne ministrin Rashiq dhe me kolegët e miqtë e nderuar të shoqërisë civile të diskutojmë bashkë për mundësitë për zhvillim ekonomik. Për mua është edhe një avantazh për arsye se kjo temë përputhet dhe me idetë që unë kam nisur nga background-i im, që mendoj se nuk ka mënyrë më të mirë për të thelluar bashkëpunimin dhe integrimin sesa kur flitet për zhvillimin ekonomik edhe rritjen e punësimit. Dhe unë mendoj që kontributi më i mirë që mund të bëjmë në këtë drejtim është që edhe çështjen e integrimit të komuniteteve jo shumicë ta trajtojmë me të njëjtat kritere siç është edhe kriteri për avancimin ekonomik të të gjithë popullatës së Kosovës. Ajo që ne bëjmë në gjithë pjesën e Kosovës, mendoj që duhet të jetë prioritet edhe kur bëhet fjalë për angazhimin e Qeverisë drejt mbështetjes së zhvillimit ekonomik në komunat me popullatë shumicë të komunitetit serb. Kisha dashur që shkurtimisht në hyrje me i përmend mekanizmat përmes të cilëve ne veprojmë.

Hapi i parë është mbështetja që iu ofrojmë ndërmarrjeve, qoftë ndërmarrjet organizuese shoqëri aksionare, qoftë ndërmarrjet e krijuara nga vetëpunësimi i ndërmarrësve të vegjël. Ne këtë e bëjmë përmes programeve të mbështetjeve me grante dhe subvencione në mënyrë direkte, apo qoftë në mënyrë indirekte, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës, që këto subjekte e mundësojnë.

Ne kemi parë javën e kaluar vizitën e ministrit Rashiq bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, në veri të Kosovës, ku kanë prezantuar platformën e re, me të cilën synohet krijimi i 2000 vendeve të punës, duke subvencionuar deri 70 për qind të pagës apo deri në 350 euro për një periudhë prej 6 muajve. Feedback-u që ne kemi marrë, është që kjo masë është pritur jashtëzakonisht mirë në veri dhe është shumë me rëndësi të potencojmë që kalkulimet e tanishme të ministrisë janë, që potenciali për të gjeneruar vende të reja të punës është diku 2000, por në qoftë se ne e shohim që ka gatishmëri dhe interesim të ndërmarrësve për të krijuar më shumë vende të punës, kjo masë lirisht mund të zgjerohet edhe për 2000 vende tjera dhe çka është shumë me rëndësi, është që, një masë e tillë mundet lirisht të zgjerohet edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës.

Një mbështetje tjetër [hapi i dytë], që ne i bëjmë fuqizimit të bizneseve në këto komuna, është edhe përmes rritjes së formalizimit të ekonomisë dhe mendoj që në këtë kontekst duhet parë edhe idenë e masës së prezantuar nga ministri Rashiq, meqë teknikisht për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, çdo vend i punës që lajmërohet, qoftë vend i ri ose formalizim i vendeve ekzistuese, do të trajtohet njësoj, pra kriteri për vlerësim do të jetë njësoj, por formalizimi nënkupton që edhe transaksionet, të cilat performohen nga pjesëmarrësit në këtë gjiro ekonomike, duhet të regjistrohen të gjitha, sepse vetëm në këtë mënyrë sigurohet edhe barazia e konkurrencës. Andaj, në këtë dritë duhet interpretuar edhe rregullorja e Bankës Qendrore, për të cilën do të flas pak më vonë.

Elementi tjetër [i tretë], përmes së cilit ne mbështesim fuqizimin e sektorit të ekonomisë nëpër komuna, është edhe përmes fuqizimit të kërkesës agregate. Të gjitha programet e qeverisë gjatë vitit 2022 dhe 2023 kanë synuar një rishpërndarje të të ardhurës kombëtare e cila ka shkuar nga buxheti drejt atyre kategorive të shoqërisë të cilat kanë një tendencë më të madhe për të konsumuar prodhime vendore. Do të thotë në qoftë se ne ndajmë mjete buxhetore për pensionistët apo për fëmijët, probabiliteti që këta do ta shfrytëzojnë këtë fuqi blerëse shtesë për të blerë prodhimet lokale është më i madh dhe në këtë mënyrë pastaj, në mënyrë indirekte fuqizohet ekonomia vendore.

Edhe shtylla e katërt që për mua është shumë e rëndësishme, mbështetja direkte e projekteve infrastrukturore të cilat mbështeten përmes tri kanaleve, dy prej të cilave janë në kontroll të Qeverisë së Kosovës. Kanali i parë është buxheti i alokuar për komunat të cilat e kanë qartazi kategorinë e investimeve kapitale, qoftë ato të karakterit lokal qoftë të karakterit ndër regjional dhe synimi i këtyre investimeve është që krahas përmirësimit të jetës së qytetarëve ta rrisim edhe konkurrueshmërinë e bizneseve.

Përshembull në qoftëse ne e përmirësojmë infrastrukturën rrugore në Zubin Potok kjo e shpejton periudhën e dërgimit të mallrave apo produkteve që fermerët e Zubin Potokut i prodhojnë drejt tregjeve në pjesët e tjera të Kosovës dhe me këtë e rrit edhe shansin që ata të mund të gjenerojnë të hyra shtesë. Kanali i dytë përmes së cilave mbështetet infrastruktura kryesisht vlen vetëm për katër komunat në veri të Kosovës, është fondi i mirëbesimit, në të cilin derdhen mjetet buxhetore që ne i grumbullojmë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak dhe përdoren për investime sipas kërkesës së lidershipit komunal të drejtuar në një panel ku pastaj votimi bëhet nga përfaqësues i BE-së në Kosovë, ministri i Financave dhe përfaqësuesi i katër komunave në veri të Kosovës.

Edhe shtylla e pestë që është më rëndësi është fuqizimi indirekt i ekonomisë përmes rritjes së efikasitetit, kjo bëhet duke e luftuar korrupsionin, kontrabandën e të tjera, që krijon hapësirë për lulëzim të subjekteve të cilat veprojnë në dakordim me ligjin. Përveç kësaj ne jemi në një fazë të projektimit dhe ideimit të projekteve më të mëdha infrastrukturore p.sh. të gjitha të dhënat tregojnë se komunat e Leposaviqit dhe Zubin Potokut ka potencial mbi proporcional për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme por kjo kërkon fonde pastaj më të mëdha dhe në bashkëpunim edhe me BE-në.

Por ne për momentin jemi duke testuar edhe mundësitë e qeverisë, por edhe gatishmërinë e bizneseve të huaja dhe serioze që të hyjnë në këtë treg dhe të krijojnë hapësirë për gjenerim të energjisë së ripërtëritshme në katër komunat në veri të Kosovës.

Po them matjet tregojnë se ka potencial të madh. Po ashtu kemi dizajnuar dhe punojmë në ndërtimin e kapaciteteve tona absorbuese, një projekt shumë më të madh të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian i cili mund të jetë qoftë pjesë e Planit të Rritjes, qoftë edhe e IPA-ve vjetore, ose mund të jetë pjesë e konferencës së donatorëve që pritet të organizohet në momentin kur ka një zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike mes Kosovës dhe Serbisë, të dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar.

Një program i cili do të mbështeste koordinimin dhe bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe me komunat tjera të Kosovës, edhe atë në tri rrafshe. Bashkëpunimin ndërkomunal për ofrimin e përbashkët të shërbimeve të caktuara komunale, le të themi një kompani e ujësjellësit në Shtërpcë që do të bashkëpunonte me një kompani të ujësjellësit apo të grumbullimit të mbeturinave në Ferizaj.

Pastaj, pjesa tjetër do të ishte shtylla e bashkëpunimit të ndërmarrjeve ekonomike mes këtyre komunave dhe shtylla e tretë, intensifikimi i bashkëpunimit mes organizatave të shoqërisë civile të komunave me përbërje të ndryshme etnike.

Tek vendimi apo rregullorja e Bankës Qendrore e cila është publikuar me 27 dhjetor të vitit të kaluar, kemi potencuar disa herë që rregullorja nuk e ka objektiv, as nuk merret me asnjë monedhë që është në qarkullim. Fokusi kryesor sipas interpretimeve të Bankës Qendrore, ka qenë rritja e sigurisë së sistemit bankar dhe sistemit të pagesave dhe kjo siguri ka qenë e atakuar nga tri elemente.

Elementi i parë ka qenë nga një proporcion tejet i madh i shfrytëzimit të monedhës së 500 eurove në qarkullim, e dihet që monedha të tilla në një ekonomi relativisht të vogël si Kosova, zakonisht përdoren kur kemi të bëjmë me transaksione jashtë ekonomisë formale, dhe përvojat e muajit të kaluar tregojnë që kjo brengë e Bankës Qendrore ka qenë shumë legjitime meqë për shumë pak javë Banka Qendrore ka nxjerrë nga qarkullimi 165 mijë monedha nga 500 euro që është në total diku 83 milionë euro. Mund ta paramendoni për një ekonomi si të Kosovës, sa do të thotë kjo për sigurinë e transaksioneve në ekonominë formale.

Pjesa e dytë ka të bëjë me mbrojtjen e konsumatorëve nga qarkullimi i monedhave fallco dhe ju jeni dëshmitarë se në kohët e fundit kemi një atakim i cili nuk vjen nga Kosova, por hyrja e monedhave fallco vjen nga vendet fqinje të Kosovës, por kjo krijon pastaj telashe për të gjithë përdoruesit e monedhës euro.

Dhe e treta ka të bëjë me importin dhe eksportin e monedhave në tërësi, jo vetëm të euros, por të gjitha monedhave, përfshirë edhe dollarin amerikan, lekun e Shqipërisë, dinarin e Serbisë, do të thotë të gjitha monedhave në Kosovë, për të cilët duhet të vendoset ligjshmëri. Kjo është edhe kërkesë e procesit të Berlinit, ku kërkohet përdorimi i mekanizmit SEPA nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk mund të anëtarësohesh këtu pa arritur të konsolidosh sistemin e pagesave brenda territorit të Kosovës.

Ne jemi të vetëdijshëm që në afat të shkurtër zbatimi i kësaj mase mund të krijojë vështirësi për një pjesë të qytetarëve të cilët kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin mbështetje financiare nga Republika e Serbisë. Banka Qendrore ka nxjerrë një varg të aktiviteteve dhe masave me të cilat synon ta zbusë këtë ndikim, e në ditët në vijim edhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë me një listë prej 10 masave, me të cilat ne do të tregojmë se si do të kujdesemi që qytetarët të mos dëmtohen në këtë fazë kalimtare, por fazë e cila do të garantonte pastaj zbatimin në plotni të formalizimit të sistemit të pagesave.

Edhe njëherë faleminderit shumë për mundësinë. Mendoj që është një fillim i mbarë që të fokusohemi më shumë në ekonomi dhe drejt gjenerimit të vendeve të punës, sepse kjo është strategjia më e mirë për të siguruar një integrim të qëndrueshëm të secilit prej nesh.

Po përfundoj me konkluzione edhe njëherë që qytetarët e Republikës së Kosovës mund të ecin vetëm me atë ritëm me të cilin ecin edhe pjesëtarët e minoriteteve, andaj e shohim edhe obligim të shumicës në Kosovë që të punojë më shumë drejtë integrimit dhe zhvillimit të bashkëpunimit me pjesëtarët e minoriteteve tjera në Kosovë.

Faleminderit shumë edhe njëherë.

Nënshkruhet Memorandumi i Bashkëpunimi për studime albanologjike ndërmjet MAShTI-t dhe Universitetit të Prishtinës 

Prishtinë, 21 shkurt 2024
Në datën e 21 shkurtit e cila shënon Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, nën praninë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u nënshkrua Memorandum Bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Universitetit të Prishtinës, për zhvillimin dhe promovimin e Albanologjisë, me theks të veçantë në programet e gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe.
Kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij në ceremoni bëri të ditur se qëllimi i këtij memorandumi është përkrahja financiare e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat që botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Veçanërisht, Ministria do të përkrahë stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe”, shtoi tutje ai.
Ndër të tjera, do të ofrohet mbështetje vjetore për tri projektet shkencore të realizuara nga stafi akademik i Fakultetit të Filologjisë në kuadër të studimeve albanologjike. Përkrahje të tillë ky memorandum i ofron edhe dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendim kritik, argumentim dhe drejtshkrim.
Me këtë rast kryeministri Kurti uroi që zbatimi i këtij Memorandum Bashkëpunimi të sjell përfitime për stafin akademik e studentët, dhe njëkohësisht të prodhoj rezultate origjinale e të vyera për studimet albanologjike.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit ishte Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Qerim Qerimi, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prorektorë të UP-së, Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë dhe staf akademikë e studentë të Universitet të Prishtinës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Rektor i Universitetit të Prishtinës, profesor Qerim Qerimi,
E nderuar Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari Zëvendësministër, Taulant Kelemendi, 
Të nderuar Prorektorë, profesor Faton Berisha, profesore Njomza Llullaku, profesore Pranvera Breznica Selmani, profesore Arta Basha Jakupi, profesor Sefer Avdiaj,
E nderuar profesore Lindita Rugova, Dekane e Fakultetit të Filologjisë,
Të dashur studentë dhe profesorë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Më vjen shumë mirë që sot, më 21 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, jemi bërë bashkë për këtë Memorandum të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në njërën anë dhe Universitetit të Prishtinës në anën tjetër, për mbështetjen e qëndrueshme, por njëkohësisht edhe për promovimin e zhvillimin e Albanologjisë, veçanërisht të programeve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë shqipe.
Rrugës për në rektorat, njeriut i duhej të kaloj kah Fakulteti i Arteve. Aty janë Departamenti i Arteve Dramatike dhe Muzikore, edhe aty nuk ke se si të mos e shohësh një pllakë ku në mesin e emrave të rrugëve është edhe emri Johan von Hahn. Pra rruga që të nxjerrë për te Fakulteti i Arteve, e mban emrin e njëjtë me atë që njihet si “Babai i Albanologjisë”, juristit dhe diplomatit gjerman Johan Georg von Hahn. E në kohën kur studiuesi Johan von Hahn kishte arritur në Prishtinë, më 30 tetor të vitit 1858, për atë dhe për llojin e njerëzve sikurse ai që e studionin gjuhën, kulturën dhe historinë e shqiptarëve, përgjithësisht përdorej termi “albanist”.
Vetëm pasi Johan von Hahni filloi ta botonte veprën e tij kapitale në katër vëllime, “Studime Shqiptare” (“Albanesische Studien”), nisi të konsolidohej termi “Albanologji” dhe “Albanolog”. Tash unë nuk e di nëse profesorët dhe studiuesit e kanë sqaruar plotësisht se kur duhet të përdoret termi “Albanologji” dhe kur “Studime Shqiptare”. Por, besoj që kjo mund të jetë pikërisht njëra ndër temat që e meriton një studim apo punim shkencor prej stafit akademik. Aq më tepër që fundja, edhe historia e Albanologjisë, gjithashtu është Albanologji!
Gjuha shqipe është edhe më e gjerë edhe më e thellë se sa secili prej neve bashkëkohanikëve që e flasim atë, por do të thosha edhe më e gjerë e më e thellë se sa të gjithë ne bashkë. Gjuha nuk është thjeshtë vetëm mjet komunikimi apo dije bisedore, është shumë më shumë se kaq, prandaj edhe më së shumti mbase duhet ta mësojnë e studiojnë gjuhën shqipe pikërisht ata që pretendojnë se e dinë. Dhe në këtë mënyrë ti kontribuojmë vetes mbase edhe më shumë se sa gjuhës.
Nëpërmjet  këtij memorandumi që do të nënshkruhet sot do të përkrahet financiarisht stafi akademik i Universitetit të Prishtinës për publikime në revistat të cilat botohen nga Fakulteti i Filologjisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës.
Veçanërisht, Ministria do të përkrah stafin akademik të Fakultetit Filologjik për artikujt shkencor në fushën e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Gjithashtu, do të mbulojë edhe shpenzimet për pjesëmarrje në Seminare Ndërkombëtare. Do të ndajnë bursa vjetore në vlerë prej 1000 euro për studentët që studiojnë gjuhën dhe letërsinë shqipe. Gjithashtu, do t’u ipet mbështetje vjetore tri projekteve shkencore që realizohen nga stafi akademik i Fakultetit Filologjik, dy projekteve hulumtuese më të suksesshme të studentëve në nivelin master, si dhe garave në nivel parauniversitar për mendimin kritik, argumentimin dhe drejtshkrimin.
Të nderuar të pranishëm,
Shekullin e kaluar e patëm filluar, siç e përmendi edhe Rektori i Universitetit, me Kongresin e  Alfabetit në Manastir, ndërkaq në gjysmën e dytë të shekullit XX ishte një 50 vjeçar ku i  kishim jetën dhe veprën e le të themi Eqrem Çabejt dhe Idriz Ajetit. Në shekullin XXI ne duhet të ngritemi edhe më lartë, të ecim shpejt përpara, kurrsesi të mos ngelemi prapa apo të biem poshtë.
Andaj, uroj shumë që gjatë pesë viteve të ardhshme sa e ka kohëzgjatjen ky memorandum, nga stafi akademik dhe studentët që përfitojnë prej tij, të prodhohen sa më shumë rezultate të reja  dhe të vyera për studimet albanologjike.
Ju faleminderit dhe ju qoftë puna e mbarë të gjithëve.
(Zyra e Kryeministrit)

Send this to a friend